Çka përmban pakoja e Ahtisaarit

PROPOZIMI GJITHËPËRFSHIRËS PËR MARRËVESHJEN PËR STATUSIN E KOSOVËS

 Tabela e përmbajtjes

Dispozitat e përgjithshme

Aneksi I - Dispozitat Kushtetuese

Aneksi II - Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Komuniteteve

Aneksi III - Decentralizimi
Shtojcë Aneksit III - Përkufizim i komunave të reja

Aneksi IV - Sistemi Gjyqësor

Aneksi V - Trashëgimia Fetare dhe Kulturore

Aneksi VI - Borxhi Ndërkombëtar

Aneksi VII - Prona dhe Arkivi

Aneksi VIII - Sektori i Sigurisë së Kosovës

Aneksi IX - Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar

Aneksi X - Misioni Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Aneksi XI - Prania Ushtarake Ndërkombëtare

Aneksi XII - Agjenda Legjislative



&


Neni 1 Dispozitat e përgjithshme

1.1 Kosova do të jetë shoqëri shumetnike, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, dhe me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

1.2 Ushtrimi i autoritetit publik në Kosovë do të bazohet në barazinë e të gjithë qytetarëve dhe respektimin e nivelit më të lartë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndërkombëtarisht të pranuara, si dhe në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

1.3 Kosova do të miratojë Kushtetutën. Kushtetuta e Kosovës do të përshkruajë dhe garantojë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, të cilët janë të domosdoshëm për tu siguruar se Kosova qeveriset sipas standardeve më të larta demokratike, dhe e cila do të promovojë bashkëjetesën paqësore dhe prosperitetin e të gjithë banorëve të saj. Kushtetuta do të përfshijë parimet dhe dispozitat e përfshira në Aneksin I të kësaj Marrëveshjeje, por nuk do të kufizohet vetëm në to.

1.4 Kosova do të ketë ekonomi të hapur të tregut me konkurrencë të lirë.

1.5 Kosova do të gëzojë të drejtën e negocimit dhe lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të drejtën për të kërkuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

1.6 Gjuhë zyrtare në Kosovë do të jenë gjuha shqipe dhe serbe.

1.7 Kosova do të ketë simbolet e veta të veçanta kombëtare, përfshirë flamurin, stemën dhe himnin, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.

1.8 Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti.

1.9 Kosova do të bashkëpunojë plotësisht me të gjitha entitetet e përfshira në implementimin e kësaj Marrëveshje dhe do të ndërmarrë të gjitha obligimet që parashihen për të me këtë Marrëveshje. Kosova dhe Republika e Serbisë inkurajohen të bashkëpunojnë në mirëbesim sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me implementimin dhe realizimin e kushteve të kësaj Marrëveshjeje.

1.10 Komuniteti ndërkombëtar do të mbikëqyrë, monitorojë dhe do të ketë tërë pushtetin e domosdoshëm për të siguruar implementimin efektiv dhe efikas të kësaj Marrëveshjeje, sipas përkufizimeve të ofruara në Anekset IX, X, XI. Kosova gjithashtu do të ftojë bashkësinë ndërkombëtare që t’i ndihmojë Kosovës në përmbushjen e suksesshme të obligimeve të saja.

Neni 2 Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut

2.1 Kosova do të promovojë, mbrojë dhe respektojë nivelin më të lartë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përfshirë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike, dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj. Kosova do të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme drejt ratifikimit të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj.

2.2 Të gjithë njerëzit e Kosovës kanë të drejtë të gëzojnë drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pa diskriminim të çfarëdo lloji në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike apo mendimeve tjera, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, lindjes apo statusi tjetër. Të gjithë njerëzit në Kosovë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë, pa diskriminim, në mbrojtje të barabartë ligjore.

2.3 Parimet e mos-diskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë para ligjit do të zbatohen dhe respektohen, posaçërisht në fushat e punësimit në administratë publike dhe ndërmarrje publike, dhe qasjen në financa publike.

2.4 Kushtetuta e Kosovës do të përshkruajë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen, promovimin, dhe zbatimin e drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit e Kosovës, siç përcaktohet në Aneksin I të kësaj Marrëveshjeje.

2.5 Kosova do të promovojë dhe respektojë në plotësi procesin e pajtimit mes të gjitha komuniteteve të saj dhe pjesëtarëve të tyre. Kosova do të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri gjinore, për tu ballafaquar me të kaluarën e saj, e cila do të përfshijë një varg të gjerë iniciativash kalimtare të drejtësisë.

2.6 Të gjitha autoritetet kompetente në Kosovë do të bashkëpunojnë me, dhe do t’i ofrojnë qasje të papenguar të gjithë mekanizmave apo organizatave të njohura ndërkombëtarisht për monitorimin e të drejtave të njeriut.

Neni 3 Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre

3.1 Banorët që i përkasin të njëjtit grup kombëtar apo etnik, gjuhësor, apo grupi fetar tradicionalisht prezent në territorin e Kosovës (më tej Komunitete) do të kenë të drejta të veçanta, të përcaktuara në Aneksin II të kësaj Marrëveshjeje, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të përcaktuara në Nenin 2 të Aneksit I të kësaj Marrëveshjeje.

3.2 Kosova do të garantojë mbrojtjen e identitetit kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Kosova do të krijojë mekanizma kushtetues, ligjorë dhe institucionalë të nevojshëm për promovimin dhe mbrojtjen e drejtave të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve dhe për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse, siç përcaktohet me Anekset I dhe II të kësaj Marrëveshjeje.

3.3 Autoritetet e Kosovës do të udhëhiqen në politikat dhe praktikat e tyre nga nevoja për të promovuar frymë të paqes, tolerancës dhe dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar mes komuniteteve të saj dhe pjesëtarëve të tyre.

Neni 4 Të Drejtat e Refugjatëve dhe Personave të Zhvendosur

4.1 Të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur nga Kosova do të kenë të drejtën e kthimit dhe kërkimit të pronës së tyre dhe posedimeve personale, në pajtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.

4.2 Kosova do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar dhe krijuar një atmosferë të favorshme për kthim të sigurt dhe të denjë të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, bazuar në vendimet e tyre të lira dhe të bazuara në informata të sakta, përfshirë përpjekjet për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e tyre të lëvizjes dhe mbrojtjen nga kërcënimi.

4.3 Kosova do të bashkëpunojë plotësisht me Komesarin e Lartë për të Drejta të Refugjatëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do t’i ndihmojë autoritetet kompetente në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për të kthyerit, dhe i cili, mes tjerash, do të kryejë vlerësime periodike dhe do të ofrojë raporte publike mbi kushtet e kthimit dhe situatën e personave të zhvendosur brenda Kosovës, dhe gjithashtu do të ofroj bashkëpunimin me organizata të tjera të përfshira në procesin e kthimit.


Neni 5 Personat e zhdukur

5.1 Kosova dhe Republika e Serbisë, në pajtim me normat dhe standardet vendore dhe ndërkombëtare, do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të përcaktuar dhe ofruar informata sa i përket identitetit, vendndodhjes dhe fateve të personave të zhdukur, në bashkëpunim të plotë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe partnerët tjerë relevantë ndërkombëtarë.

5.2 Kosova dhe Republika e Serbisë do të vazhdojnë të marrin pjesë në mënyrë kuptimplotë, efektive dhe pa vonesa të panevojshme në Grupin Punues për Persona të Zhdukur, të themeluar sipas kornizës së “Dialogut të Vjenës” dhe të kryesuar nga KNKK, apo ndonjë mekanizmi tjetër pasardhës i cili mund të themelohet. Kosova dhe Republika e Serbisë do të fuqizojnë institucionet përkatëse qeveritare të ngarkuara me këtë çështje me mandat ligjor, autoritet dhe resurse të nevojshme për të mbajtur dhe intensifikuar këtë dialog, dhe për të siguruar bashkëpunim aktiv të të gjitha administratave gjegjëse.

Neni 6 Vetëqeverisja Lokale dhe Decentralizimi

6.1 Komunat do të jenë njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Kosovë.

6.2 Vetëqeverisja lokale në Kosovë do të bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, dhe efikasitetit dhe efektivitetit gjatë ofrimit të shërbimeve publike, duke i kushtuar kujdes të posaçëm nevojave dhe brengave specifike të komuniteteve jo-shumicë dhe pjesëtarëve të tyre.

6.3 Komunat në Kosovë do kenë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe tejkufitar në çështjet me interes të përbashkët gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre, siç parashihet në Aneksin III të kësaj Marrëveshjeje.

6.4 Kufijtë e komunave të reja do të përkufizohen në pajtim me Shtojcën e Aneksit III të kësaj Marrëveshjeje.

Neni 7 Trashëgimia Fetare dhe Kulturore

7.1 Kosova do të sigurojë autonominë dhe mbrojtjen e të gjitha konfesioneve fetare dhe tërësisë së objekteve fetare brenda territorit të saj.

7.2 Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS), përfshirë klerin dhe pjesëtarët, aktiviteteve dhe pronave të saj, do t’i ofrohet siguri shtesë dhe masa tjera mbrojtëse për gëzimin e plotë të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve të tyre, siç parashihet me Aneksin V të kësaj Marrëveshjeje.

7.3 KOS do të jetë e vetmja pronare e pronës së saj në Kosovë, me diskrecion të plotë sa i përket menaxhimit të pronës së saj dhe qasjes ndaj premisave të saj, siç parashihet me Aneksin V të kësaj Marrëveshjeje.

7.4 Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) do të themelojë një Këshill Implementues dhe Monitorues (KIM), i cili do të monitorojë dhe ndihmojë zbatimin e plotë të dispozitave dhe masave mbrojtëse të posaçme të cilat i ofrohen KOS dhe lokacioneve fetare e kulturore Serbe, siç parashihet me Aneksin V të kësaj Marrëveshjeje.


Neni 8 Çështjet Ekonomike dhe Pronësore

8.1 Kosova do të zbatojë politika ekonomike, sociale dhe fiskale të domosdoshme për një ekonomi të qëndrueshme. Për të përkrahur veçanërisht sistemin e qëndrueshëm të llogarive publike, Kosova do të themelojë, me Komisionin Evropian dhe në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një sistem të mbikëqyrjes fiskale. Kosova gjatë përgatitjes së buxhetit të saj do të këshillohet me PCN.

8.2 Të gjitha borxhet e Republikës së Serbisë të cilat i ngarkohen Kosovës, si rezultat i procesit të alokimit të borxheve, siç parashihet me Aneksin VI të kësaj Marrëveshjeje, do të konsiderohen detyrime financiare të Kosovës.

8.3 Prona e luajtshme dhe paluajtshme e Republikës Federative të Jugosllavisë apo e Republikës së Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës në momentin e Marrëveshje, do t’i kalohet në pronësi Kosovës.

8.4 Ndërmarrjet publike dhe obligimet e ndërlidhura me to, dhe ndërmarrjet shoqërore dhe asetet e tyre, aktualisht nën jurisdikcion të Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM), do të rregullohen siç parashihet me Aneksin VII të kësaj Marrëveshjeje.

8.5 Kosova do të njohë, mbrojë dhe fuqizojë ushtrimin e drejtave të personave mbi pronat e tyre private të luajtshme dhe paluajtshme të në Kosovë, në pajtim me norma dhe standarde të njohura ndërkombëtarisht. Kërkesat lidhur me pronat private të paluajtshme, përfshirë pronat bujqësore dhe komerciale, edhe më tej do të adresohen nga Agjensioni Kosovar i Pronave (AKP), sipas nevojës, siç parashihet me Aneksin VII të kësaj Marrëveshjeje. Kosova do t’i adresojë me prioritet të gjitha çështjet e kthimit të pronave, përfshirë ato të Kishës Ortodokse Serbe, siç parashihet me Aneksin VII të kësaj Marrëveshjeje.

8.6 Kosova dhe Republika e Serbisë do të tentojnë të zgjidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë mes tyre të gjitha mosmarrëveshjet, të cilat nuk adresohen nga kjo Marrëveshje, me pajtim të dyanshëm, duke marrë parasysh normat dhe standardet relevante ndërkombëtare. Kosova dhe Republika e Serbisë pritet të sigurojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues ndaj kërkesave pronësore dhe financiare të qytetarëve të njëra tjetrës, dhe do të sigurojnë qasje të barabartë dhe jodiskriminuese në juridiksionet dhe mekanizmat e vet për zgjidhje të kërkesave.


Neni 9 Sektori i sigurisë

9.1 Përveç në rastet e përcaktuara ndryshe me këtë Marrëveshje, Kosova do të ketë pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, shërbimet e inteligjencës, reagimin emergjent civil dhe kontrollin e kufijve të territorit të saj.

9.2 Institucionet Kosovare të sigurisë do të veprojnë në pajtim me standardet demokratike ndërkombëtarisht të njohura dhe të drejtat e njeriut, dhe do të sigurojë përfaqësim të barabartë proporcional të komuniteteve në të gjitha nivelet e gradimit.

9.3 Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), në pajtim me dispozitat e kësaj Marrëveshje dhe sipas mandateve të tyre gjegjëse, do të mbikëqyrin dhe udhëzojnë zhvillimin e mëtejmë të institucioneve Kosovare të sigurisë.

9.4 Do të themelohet një forcë e re, profesionale dhe shumetnike, Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), e cila do të zhvillojë një kompozicion të armatosur lehtë, i aftë për të kryer funksione specifike të sigurisë, siç parashihet me Aneksin VIII të kësaj Marrëveshjeje.

9.5 Kosova do të themelojë një organizatë civile brenda Qeverisë e cila do të ushtrojë kontroll civil mbi FSK, në pajtim me këtë Marrëveshje.

9.6 TMK, pasi që ka arritur qëllimet e parapara, përfshirë mundësimin e rimëkëmbjes së Kosovës pas konfliktit, do të shpërbëhet një vit pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.

9.7 Të gjitha organizatat e paautorizuara me ligj për të kryer veprimtari në sektorin e sigurisë në Kosovë do të ndalojnë së vepruari.


Neni 10 Komisioni Kushtetues dhe Zgjedhjet

10.1 Menjëherë pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kryetari i Kosovës, në këshillim me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, do të thërret një Komision Kushtetues për hartimin e Kushtetutës, në këshillim me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, në pajtim me këtë Marrëveshje.

10.2 Komisioni Kushtetues do të përbëhet nga njëzetenjë (21) anëtarë Kosovarë, të cilët duhet të kenë kualifikimet relevante profesionale dhe ekspertizën e duhur për arritjen e këtij qëllimi, dhe i cili do të pasqyrojë shumëllojshmërinë e shoqërisë së Kosovës, duke marrë parasysh parimet ndërkombëtarisht të njohura të barazisë gjinore, siç parashihet me instrumentet e të drejtave të njeriut të përcaktuara në Nenin 2 të Aneksit I të kësaj Marrëveshjeje. Pesëmbëdhjetë (15) anëtarë do të emërohen nga Kryetari i Kosovës, në këshillim me Kryesinë e Kuvendit. Tre (3) anëtarë do të emërohen mes deputetëve të Kuvendit që mbajnë ulëset e rezervuara për komunitetin Serb në Kosovë, dhe tre (3) anëtarë do të emërohen mes deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëset e rezervuara për komunitetet tjera joshumicë në Kosovë.

10.3 Komisioni do të themelojë një mekanizëm kuptimplotë i cili do të informojë anëtarët dhe opinionin publik mbi punën e vet. PCN do të emërojë përfaqësues të cilët do të ndihmojnë punën e Komisionit, përfshirë hartimin e rregullave të punës dhe vlerësimin e modeleve ndërkombëtare për hartimin e kushtetutës.

10.4 Kuvendi nuk mund të miratojë formalisht Kushtetutën përderisa PCN mos ta vlerësojë se ajo është në pajtim me kushtet e parapara me këtë Marrëveshje. Kuvendi do ta miratojë formalisht Kushtetutën brenda 120 ditësh nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, me votim të deputetëve aktual të Kuvendit të Kosovës, me dy të tretat e deputetëve të pranishëm që votojnë, pas këshillimeve të duhura me deputetët e Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Pas miratimit formal, Kushtetuta do të vlerësohet si e miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe do të hyjë në fuqi ditën e parë pas kalimit të periudhës tranzitore, që parashihet me Nenin 14.1 të kësaj Marrëveshjeje.

10.5 Jo më vonë se nëntë muaj nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të organizojë zgjedhje të përgjithshme dhe komunale në pajtim me kushtet e kësaj Marrëveshjeje dhe kufijve të ri komunal, të përcaktuar me Aneksin III të kësaj Marrëveshjeje. Zgjedhjet do të certifikohen se i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare nga një autoritet ndërkombëtar kompetent.


Neni 11 Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar

11.1 Një Grup Drejtues Ndërkombëtar (GND), i cili do të përbëhet nga akterët kyç ndërkombëtar, do të emërojë Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe do të kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratimin e emërimit. PCN dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE), i emëruar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, do të jenë i njëjti person.

11.2 GND do të përkrahë dhe do t’i japë udhëzime Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në përmbushjen e mandatit të tij/saj.

11.3 PCN do të ketë përgjegjësi të përgjithshme për mbikëqyrjen, dhe do të jetë autoriteti përfundimtar në Kosovë për sa i përket interpretimit të kësaj Marrëveshjeje, siç parashihet me Aneksin IX, e veçanërisht nenin 2, të kësaj Marrëveshjeje.

11.4 Siç parashihet me Aneksin IX të kësaj Marrëveshjeje, PCN-së do t’i besohet ushtrimi i autoriteteve të caktuara për sigurimin dhe mbikëqyrjen e implementimit të plotë të kësaj Marrëveshjeje, përfshirë autoritetin për të ndërmarrë masa, sipas nevojës, për parandalim dhe përmirësimin e shkeljeve të kësaj Marrëveshjeje. Kompetenca do t’i akordohen PCN-së edhe në cilësinë e tij/saj si PSBE, siç parashihet me Nenin IX të kësaj Marrëveshjeje.

11.5 PCN do të mbajë rolin e përgjithshëm bashkërendues mbi aktivitetet e organizatave tjera ndërkombëtare në Kosovë, përderisa ato ndërlidhen me përgjegjësitë e PCN-së për monitorimin dhe sigurimin e zbatimit të plotë të kësaj Marrëveshjeje, siç parashihet në Aneksin IX të saj.

11.6 Mandati i PCN-së do të vazhdohet përderisa Grupi Drejtues Ndërkombëtar të vlerësojë se Kosova ka përmbushur kushtet e parapara me këtë Marrëveshje. GND do të ofrojë udhëzime për zvogëlimin deri në tërheqjen përfundimtare të PCN-së.

11.7 GND do të kryejë rishikimin e parë të mandatit të PCN-së, bazuar në gjendjen e implementimit të kësaj Marrëveshjeje, jo më vonë se dy vite pas hyrjes së saj në fuqi.


Neni 12 Përkrahja Ndërkombëtare në Fushën e Sundimit të Ligjit

12.1 Bashkimi Evropian do të themelojë Misionin Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes (MEPSM).

12.2 MEPSM do t’i ndihmojë autoritetet Kosovare në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë dhe në zhvillimin e fuqizimin e mëtejmë të gjyqësorit të pavarur, shërbimit policor dhe doganor, duke siguruar se këto institucione veprojnë jashtë ndikimit politik dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtarisht të pranuara dhe praktikat më të mira evropiane.

12.3 MEPSM do të përkrahë implementimin e kësaj Marrëveshjeje dhe do të ofrojë mentorim, monitorim dhe këshillë në fushën e sundimit të ligjit në përgjithësi, duke mbajtur autoritete të caktuara, në veçanti sa i përket gjyqësorit, shërbimit policor, doganor dhe korrektues, nën modalitetet dhe përgjatë një periudhe kohore të përcaktuar nga Këshilli i BE-së, në pajtim me Anekset IX dhe X të kësaj Marrëveshjeje.


Neni 13 Prania Ushtarake Ndërkombëtare


13.1 NATO do të krijojë një Prani Ushtarake Ndërkombëtare (PUN) për të përkrahur implementimin e kësaj Marrëveshjeje, siç parashihet me Aneksin XI të saj.

13.2 Kjo PUN do të udhëhiqet nga NATO dhe do të veprojë nën autoritetin e Këshillit Veriatlantik dhe do t’i nënshtrohet udhëzimeve dhe kontrollit politik të tij, përmes zinxhirit komandues të NATO-s. Prania ushtarake e NATO-s në Kosovë nuk parandalon krijimin e një misioni përcjellës në të ardhmen nga ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare të sigurisë, pas rishikimit të mandatit.

13.3 PUN do të bashkëpunojë ngushtë dhe do të përkrahë punën e PCN-së, MEPSM-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare që mund të jenë të pranishme në Kosovë, për të mbikëqyrur dhe siguruar zbatimin e plotë të kësaj Marrëveshjeje.

13.4 PCN do të jetë përgjegjës për ofrimin e një mjedisi të sigurt në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim me PCN-në dhe në përkrahje të institucioneve të Kosovës, deri në atë kohë që institucionet e Kosovës janë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësitë, të shqyrtuara një nga një, sa i përket detyrave të sigurisë të kryera nga PUN-i. Me kalimin e kohës, Kosova, përkrahur nga PCN-ja dhe PUN-i, do të zhvillojë një proces për të parashtruar një plan të tranzicionit për bartjen e përgjegjësive të sigurisë së PUN-it.

13.5 PUN do të ketë përgjegjësinë e përgjithshme për zhvillimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, dhe NATO do të ketë përgjegjësi të përgjithshme për zhvillimin dhe themelimin e një organizate civile të qeverisë për të ushtruar kontroll civil ndaj kësaj Force, pa paragjykim ndaj përgjegjësive të PCN-së, siç parashihet në Aneksin IX të kësaj Marrëveshjeje.

Neni 14 Aranzhimet kalimtare dhe dispozitat përfundimtare

14.1 Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, do të parashihet një periudhë kalimtare prej 120 ditëve:

a) Gjatë periudhës së tranzicionit, UNMIK-u do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e vet në pajtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB), në konsultim me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN). PCN do të ketë pushtet për të monitoruar implementimin e Marrëveshjes gjatë periudhës së tranzicionit dhe për t’i rekomanduar UNMIK-ut mbi veprimet që duhet ndërmarrë për të siguruar pajtueshmërinë me këtë Marrëveshje.

b) Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme dhe ligjet tjera në fuqi do të mbesin në fuqi deri në përfundim të periudhës së tranzicionit, përderisa nuk bien në kundërshtim me këtë Marrëveshje.

c) Kuvendi i Kosovës do të miratojë formalisht Kushtetutën e re para përfundimit të kësaj periudhe të tranzicionit në pajtim me kushtet e kësaj Marrëveshjeje.

d) Nëse deri në fund të periudhës së tranzicionit, Kushtetuta e re nuk miratohet formalisht, UNMIK-u do të ndryshojë Kornizën Kushtetuese të Vetëqeverisjes së Përkohshme në pajtim me kushtet e kësaj Marrëveshjeje. Korniza e ndryshuar Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme do të mbetet në fuqi deri në momentin e miratimit të kushtetutës së re nga Kuvendi.

e) Gjatë periudhës së tranzicionit, Kuvendi i Kosovës, në këshillim me PCN-në do të miratojë formalisht legjislacionin e nevojshëm, në veçanti siç parashihet me Aneksin XII të kësaj Marrëveshjeje për të implementuar plotësisht kushtet e kësaj Marrëveshjeje. Legjislacioni i tillë, i cili nuk kërkon miratimin e mëtejmë apo shpalljen nga ana e UNMIK-ut, do të trajtohet si i miratuar formalisht nga Kuvendi i Kosovës dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas përfundimit të periudhës së tranzicionit nëse është në pajtim me këtë Marrëveshje dhe Kushtetutën e re apo Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme siç është ndryshuar nga UNMIK-u. Deri në hyrjen në fuqi të këtij legjislacioni, autoritetet kompetente në Kosovë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që nuk merren veprime që janë në kundërshtim me këtë Marrëveshje.

f) Gjatë periudhës së tranzicionit, UNMIK-u dhe PCN-ja, apo përfaqësuesi i tij/saj do të bashkë-kryesojnë grupet punuese për të formuluar, me Kosovën , detajet dhe modalitetet e transferim të kompetencave.

g) Në fund të periudhës së tranzicionit, mandati i UNMIK-ut do të skadojë dhe të gjitha pushtetet legjislative dhe ekzekutive të cilat i mvishen UNMIK-ut do të transferohen en bloc tek autoritetet qeverisëse të Kosovës, përveç nëse parashihet ndryshe në këtë Marrëveshje. Në këtë kohë, PCN dhe PUN do të marrin përsipër përgjegjësi të plotë për ushtrimin e mandatit të tyre, siç parashihet në këtë Marrëveshje.

h) Regjimi ligjor që qeveris zgjidhjen e të gjitha përgjegjësive të mbetura të UNMIK-ut do të krijohet gjatë periudhës së tranzicionit përmes një marrëveshjeje në mes të OKB-së (UNMIK) dhe Kosovës, në konsultim me PCN-në.

14.2 Në bashkëpunim të ngushtë me PCN-në, UNMIK-u do të sigurojë tranzicion të rregullt të kornizës ligjore nga ajo që aktualisht është në fuqi në kornizën ligjore të themeluar përmes kësaj Marrëveshjeje.

14.2.1 Rregulloret e UNMIK-ut të shpallura nga ana e PSSP-së, në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, përfshirë urdhëresat administrative dhe vendimet ekzekutive të nxjerra nga PSSP-ja dhe ligjet e shpallura të miratuara nga Kuvendi i Kosovës do të vazhdojnë së zbatuari, përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë Marrëveshje, deri në skadimin e vlefshmërisë së tyre, apo deri në anulimin apo zëvendësimin e tyre me legjislacionin që rregullon të njëjtën çështje në pajtim me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje.

14.2.2 Kosova do të vazhdojë të jetë e obliguar, në baza të reciprocitetit, sipas nevojës, nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe aranzhimet tjera në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, të nënshkruara nga UNMIK-u për Kosovën dhe në emër të saj dhe të cilat janë në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Obligimet financiare të ndërmarra nga UNMIK-u për Kosovën dhe në emër të saj, në pajtim me këto marrëveshje apo aranzhime do të respektohen nga Kosova.



ANEKSI I
DISPOZITAT KUSHTETUESE



Kushtetuta e ardhshme e Kosovës do të përfshijë, mirëpo nuk do të jetë e kufizuar, në parimet dhe elementet në vijim.


Neni 1 Dispozitat themelore

Kushtetuta e Kosovës:

1.1 Do të jetë në të gjitha dispozitat e saj në pajtim me këtë Marrëveshje dhe do të
interpretohet në pajtim me këtë Marrëveshje; në rast të mospërputhjeve mes dispozitave të kushtetutës dhe dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, do të mbizotërojnë këto të fundit.

1.2 Do t’i inkorporojë dispozitat e parashikuara në nenin 1, Parimet e Përgjithshme, të kësaj
Marrëveshjeje.

1.3 Do të konfirmojë që Kosova është shoqëri shumetnike, që bazohet në barazinë e të
gjithë qytetarëve dhe në shkallën më të lartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të njohura ndërkombëtarisht, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve të saja dhe pjesëtarëve të tyre.

1.4 Do të konfirmojë që Kosova nuk ka fe zyrtare dhe që do të jetë e paanshme në çështjet e
orientimeve fetare.

1.5 Do të konfirmojë përgjegjësinë e autoriteteve kosovare për të promovuar dhe lehtësuar
kthimin e sigurt dhe me dinjitet të të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur nga Kosova dhe për t’i ndihmuar ata në kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre.

1.6 Do të parashikojë të drejtën e të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të
Jugosllavisë të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar të vitit 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë për ta fituar nënshtetësinë e Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe çfarëdo nënshtetësie tjetër që ata mund të kenë.

Neni 2 Dispozitat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut

2.1 Kushtetuta do të parasheh që të drejtat dhe liritë e parapara me instrumentet dhe
marrëveshjet ndërkombëtare në vijim do të jenë të zbatueshme drejtpërdrejt në Kosovë dhe të kenë prioritet ndaj të gjitha ligjeve të tjera; asnjë ndryshim në Kushtetutën e Kosovës nuk do t’i pakësojë këto të drejta:

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Protokollet e saj;
Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Gruas;
Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimeve dhe Ndëshkimeve tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese;

2.2 Kushtetuta do të konfirmojë parimin që të gjithë personat në Kosovë gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, siç parashihet me nenin 2.1 të këtij Aneksi pa diskriminim të çfarëdo lloji në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimit politik apo mendimi tjetër, origjinës kombëtare apo sociale, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, statusit të lindjes apo ndonjë statusi tjetër. Kushtetuta gjithashtu do të konfirmojë parimin që të gjithë personat në Kosovë janë të barabartë para ligjit dhe të kenë të drejtë, pa diskriminim, në mbrojtje të barabartë para ligjit.

2.3 Kushtetuta do të inkorporojë nenet prej 1 deri në 3 të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, siç parashihet me Aneksin II të kësaj Marrëveshje.

2.4 Kushtetuta do të parashikojë të drejtën për individët, të cilët pretendojnë se të drejtat dhe liritë që u garantohen atyre me kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik, që të parashtrojnë ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese, pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve të tjera juridike.

Neni 3 Kuvendi i Kosovës

Sa i përket Kuvendit të Kosovës, Kushtetuta do të parashikojë, mes tjerash, si vijon:

3.1 Kuvendi do të ketë 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë në bazë të listave të hapura, nga të cilët 100 ulëse do t’u ndahen të gjitha partive, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme që ata i kanë marrë gjatë zgjedhjeve për Kuvend. Listat e kandidatëve do t’i kushtojnë një kujdes të duhur parimeve të njohura ndërkombëtarisht për barazinë gjinore, siç pasqyrohen në instrumentet e të drejtave të njeriut të përmendura në nenin 2 të këtij Aneksi.

3.2 Për dy mandatet e para zgjedhore pas miratimit të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës do të ketë (20) ulëse të rezervuara për përfaqësim të komuniteteve të cilat nuk janë shumicë në Kosovë, në mënyrën si në vijim: Dhjetë (10) ulëse do t’i ndahen partive, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës dhe dhjetë (10) ulëse do t’i ndahen komuniteteve të tjera si në vijim: komuniteti rom një (1) vend; komuniteti ashkali një (1) ulëse; komuniteti egjiptas një (1) ulëse ; dhe një (1) ulëse shtesë do t’i jepet cilitdo komunitetit rom, ashkali apo egjiptas që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti boshnjak tri (3) ulëse ; komuniteti turk dy (2) ulëse dhe komuniteti goran një (1) ulëse . Çdo ulëse e fituar në kuvend nëpërmjet të zgjedhjeve do të jenë ulëse shtesë përveç dhjetë (10) ulëseve të rezervuara të cilat ju ndahen komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera respektivisht.

3.3 Pas dy mandateve të para zgjedhore:

3.3.1 Partitë, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës do të kenë gjithsej numrin e ulëse ve në kuvend të fituar nëpërmjet të zgjedhjeve të hapura më minimum dhjetë (10) ulëse të garantuara nëse numri i ulëse ve të fituara është më i vogël se dhjetë (10).

3.3.2. Partitë, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet tjera do të kenë gjithsejtë numrin e ulëse ve në kuvend të fituar nëpërmjet të zgjedhjeve të hapura me minimumin e ulëse ve të garantuara siç parashihen me nenin 3.2, nëse numri i ulëse ve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i ulëse ve të parashikuara me nenin 3.2.

3.4 Grupi i anëtarëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëse t e rezervuara apo garantuara për komunitetin serb të Kosovës si dhe grupi i anëtarëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo garantuara për komunitetet e tjera do të kenë secili më së paku një (1) përfaqësues në Kryesinë e Kuvendit.

3.5 Së paku një zëvendës kryesues i secilit komision parlamentar do të jetë nga radhët e komunitetit tjetër nga ai të cilit i përket kryesuesi.

3.6 Pushtetet dhe procedurat e tanishme të komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve do të mbeten ashtu siç janë. Sa i përket përbërjes, pjesëtarët e komuniteteve do të përfaqësohen, mirëpo jo më shumë se një e treta (1/3) e anëtarëve të komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve do të përfaqësojnë grupin e anëtarëve të kuvendit të cilët mbajnë ulëse të rezervuara për komunitetin serb të Kosovës dhe jo më shumë se një e treta (1/3) e anëtarëve të tij do të përfaqësojnë grupin e anëtarëve të Kuvendit që mbajnë ulëse të rezervuara apo garantuara për komunitetet e tjera të cilat nuk janë në shumicë në Kosovë.

3.7 Për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve të paraqitura si në vijim do të kërkojnë shumicën e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit gjithashtu edhe shumicën e anëtarëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të cilat nuk janë në shumicë.

a) Ligjet të cilët ndryshojnë kufijtë komunal, themelojnë apo shuajnë komunat, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare;
b) Ligjet të cilat implementojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre përpos atyre të parashikuara me kushtetutë;
c) Ligjet për përdorimin e gjuhëve;
d) Ligjet për zgjedhjet lokale;
e) Ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
f) Ligjet për lirinë fetare apo për marrëveshjet me komunitetet fetare;
g) Ligjet për arsimin;
h) Ligjet për përdorimin e simboleve (përfshirë simbolet e komunitetit) dhe festat publike

3.8 Pavarësisht nga dispozitat e nenit 3.7 të këtij Aneksi, çdo ligj i tillë që kërkohet për implementimin e kushteve të kësaj marrëveshje siç parashihen me Aneksin XII të saj nuk do jetë objekt, gjatë miratimit të tij fillestar, i kërkesave të nenit 3.7 të këtij Aneksi.

3.9 Asnjëri nga ligjet që i nënshtrohen kërkesave të nenit 3.7 apo propozimeve të cilat janë në kundërshtim me çfarëdo dispozite të kësaj marrëveshje nuk mund të jetë objekt i referendumit.

3.10 Kuvendi do të themelojë rregulloren e vet të punës e cila do të jetë në pajtim me parimet e ndershmërisë dhe transparencës në vendim-marrjen demokratike.

Neni 4 Kryetari i Kosovës

Sa i përket Kryetarit të Kosovës, Kushtetuta do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

4.1 Kryetari i Kosovës do të përfaqësojë unitetin e popullit.

4.2 Kryetari i Kosovës mundet ti kthejë kuvendit për shqyrtim çfarëdo propozim ligji që ai e konsideron si të dëmshëm për interesat legjitime të një apo më shumë komuniteteve.

Neni 5 Qeveria e Kosovës

Sa i përket Qeverisë së Kosovës, Kushtetuta do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

5.1 Do të jenë së paku dy zëvendës ministra nga komuniteti serb i Kosovës dhe dy zëvendës ministra nga komunitetet tjera joshumicë të Kosovës; nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, do të jetë edhe një zëvendës ministër i tretë që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës dhe një zëvendës ministër tjetër që përfaqëson komunitetin tjetër joshumicë të Kosovës.

5.3 Përbërja e shërbimit civil do të pasqyrojë shumëllojshmërinë e popullit të Kosovës duke i dhënë një konsideratë të duhur parimeve të njohura të barazisë gjinore siç pasqyrohen në instrumentet e të drejtave të referuara në nenin 2 të këtij Aneksi. Një këshill i pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil do të sigurojë respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe pasqyrojnë shumëllojshmërinë e popullit të Kosovës.

Neni 6 Gjykata Kushtetuese dhe Sistemi i Drejtësisë

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kushtetuta do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

6.1 Gjykata Kushtetuese do të përbëhet nga nëntë gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar me karakterin më të lartë moral.

6.1.1 Gjashtë (6) gjyqtarë do të emërohen nga Kryetari me propozim të Kuvendit. Nga gjashtë gjyqtarët e emëruar për mandatin e parë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, dy (2) gjyqtarë do të shërbejnë për një mandat tre vjeçar pa mundësi zgjatje. Mëtutje, çdo gjyqtar i emëruar në Gjykatën Kushtetuese do të emërohet për një mandat nëntë vjeçar pa mundësi zgjatje. Gjyqtarët mandati i të cilëve pritet të skadojë në fund të periudhës fillestare prej tre apo gjashtë vjet do të zgjidhen si grup nga Kryetari i Kosovës menjëherë pas emërimit të tyre.

6.1.2 Sa i përket katër (4) nga gjashtë pozitat gjyqësore, vendimi për të propozuar një person si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese do të kërkojë shumicën prej dy të tretave në Kuvend; sa i përket dy pozitave të tjera, do të kërkohet pëlqimi i shumicës së anëtarëve të Kuvendit përfshirë këtu edhe pëlqimin e anëtarëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëse t e rezervuara apo garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të cilët nuk janë në shumicë në Kosovë.

6.1.3 Tre gjyqtarë ndërkombëtar do të emërohen nga Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pas këshillimit me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar.

6.2 Dhjetë apo më shumë deputetë të Kuvendit në mes tjerash do të kenë të drejtën që të kontestojnë kushtetueshmërinë e çfarëdo ligji apo vendimi të miratuar nga Kuvendi pranë Gjykatës Kushtetuese sikur për çështjet materiale gjithashtu edhe ato procedurale.

6.3 Komunat munden të kontestojnë kushtetueshmërinë e ligjeve apo akteve të qeverisë të cilat cenojnë përgjegjësitë e tyre apo zvogëlojnë të hyrat e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë, Kushtetuta do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

6.4 Gjyqtarët dhe prokurorët do të emërohen dhe shkarkohen nga Kryetari i Kosovës pas propozimit të bërë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK). Të gjitha konkurset për pozita të gjyqtarit apo prokurorit duhet të shpallen publikisht dhe të jenë të hapura për të gjithë kandidatët e kualifikuar të cilët do të zgjedhen për propozim nga KGJK-ja në baza meritore në pajtim me ligjin në fuqi dhe dispozitat e nenit 6.6 të këtij Aneksi.

6.5 Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të ketë pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të tij me qëllim të sigurimit të një sistemi të integruar, pavarur, profesional dhe paanshëm të drejtësisë, sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë dhe garantimit që sistemi i drejtësisë së Kosovës është përfshirës dhe pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës. Kjo nuk do të paragjykojë themelimin, në ndonjë fazë të mëvonshme, të ndonjë subjekti të posaçëm përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me emërimin, shqiptimin e masave disiplinore dhe shkarkimin e prokurorëve, i cili nëse themelohet do të gëzojë të njëjtën pavarësi gjatë kryerjes së funksioneve të tij.

6.6 Sa i përket rekrutimit, përzgjedhjes, emërimit, avansimit në detyrë dhe transferit të gjyqtarëve apo prokurorëve, autoritetet relevante në Kosovë do të sigurojnë që gjyqësia dhe shërbimi i prokurorisë pasqyrojnë karakterin shumetnik të Kosovës dhe nevojën për një përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve në Kosovë duke i dhënë një kujdes të posaçëm parimeve të njohura ndërkombëtarisht të barazisë gjinore siç pasqyrohet në instrumentet e të drejtave të njeriut të referuara në nenin 2 të këtij Aneksi.

6.7 Përgjegjësitë e tanishme dhe roli i Ombudspersonit mbeten ashtu siç janë.

Neni 7 Komisioni Qendror Zgjedhor

7.1 Komisioni do të ketë nëntë (9) anëtar përfshirë këtu edhe kryesuesin e Komisionit Qëndror Zgjedhor të cilët do të emërohen nga Kryetari i Kosovës nga radhët e Gjykatës Supreme dhe Gjykatave të Qarkut.

7.2 Gjashtë (6) anëtar do të emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e ulëse ve të rezervuara. Nëse më pak grupe janë të përfaqësuara në Kuvend, grupi apo grupet më të mëdha munden të emërojnë një anëtar shtesë. Një (1) anëtar do të emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë ulëse t e rezervuara apo garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe një (1) anëtar nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë ulëse t e rezervuara apo garantuara për komunitetet tjera të cilat nuk janë shumicë në Kosovë.

Neni 8 Decentralizimi/Vetëqeverisja lokale

Sa i përket vetëqeverisjes lokale në Kosovë, Kushtetuta do të parashohë në mes tjerash si në vijim:

8.1 Kosova do të përbëhet prej komunave të cilat do të gëzojnë një shkallë të lartë të vetëqeverisjes dhe të cilat inkurajojnë dhe sigurojnë një pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në jetën demokratike.

8.2 Kompetencat dhe kufijtë e komunave do të përcaktohen me ligj.

8.3 Komunat kanë të drejtë për burime lokale të të hyrave dhe pranim të financimit të duhur nga autoritetet qendrore.

8.4 Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe tejkufitar në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe zgjeruara.

Neni 9 Dispozitat ekonomike

Sa i përket sektorit ekonomik/financiar të Kosovës, Kushtetura do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

9.1 Kosova do të përdor një valutë të përcaktuar me ligj.

9.2 Kosova do të ketë një autoritet të pavarur qendror bankar.

9.3 Kosova do të themelojë organet e pavarura rregullative të tregut.

Neni 10 Amandamentet Kushtetuese

Sa i përket amandamenteve të Kushtetutës, Kushtetuta do të parashikojë në mes tjerash si në vijim:

10.1 Çdo amandament në Kushtetutë do të kërkojë aprovimin nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit përfshirë këtu dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara apo garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të cilët nuk janë shumicë në Kosovë.

10.2 Asnjë amandament i Kushtetutës nuk mundet të pakësojë të drejtat dhe liritë që referohen në nenin 2 të këtij Aneksi.

Neni 11 Dispozitat kalimtare

Kushtetuta gjithashtu do të parashikojë që të gjitha autoritetet në Kosovë do ti japin fuqi ligjore vendimeve apo akteve të autoritetit ndërkombëtar të cilit i është dhënë mandati për të mbikëqyrur implementimin e Marrëveshjes dhe do ti përmbahen të gjitha detyrimeve të Kosovës të parashikuara me këtë Marrëveshje.

ANEKSI II
TË DREJTAT E KOMUNITETEVE DHE PJESËTARËVE TË TYRE


Neni 1 Dispozitat themelore

1.1 Banorët të cilët i përkasin të njëjtit grup kombëtar apo etnik, gjuhësor apo fetar të cilët tradicionalisht janë të pranishëm në territorin e Kosovës (Komunitetet) do të kenë të drejta të posaçme siç parashihen me këtë Aneks, krahas të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të parashikuara me nenin 2 të Aneksit I të kësaj Marrëveshje.

1.2 Çdo pjesëtar i komunitetit do të ketë të drejtë që të zgjedh lirisht që të trajtohet apo të mos trajtohet në atë mënyrë dhe asnjë diskriminim nuk do të rezultojë nga zgjidhja e tij apo nga ushtrimi i të drejtave të cilat janë të ndërlidhura me këtë zgjidhje.


1.3 Pjesëtarët e komuniteteve do të kenë të drejtë që të shprehin, avancojnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre dhe atributet e komunitetit.

1.4 Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me veti përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me ligjin e Kosovës dhe nuk do të shkel të drejtat e të tjerëve.


Neni 2 Detyrimet për Kosovën

2.1 Kosova do të krijojë kushtet e duhura të cilat i mundësojnë komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre që të ruajnë, mbrojnë dhe zhvillojnë identitetet e tyre. Qeveria në veçanti do të përkrah iniciativat kulturore të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre përfshirë këtu edhe nëpërmjet të ndihmës financiare.

2.2 Kosova do të promovojë frymën e tolerancës, dialogun dhe do të mbështes pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe respektojë standardet e parashikuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Kartën Evropiane për Gjuhët Regjionale dhe të Pakicave.

2.3 Kosova do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund të jenë objekt i kërcënimeve apo veprave të diskriminimit, armiqësisë apo dhunës si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar.

2.4 Kosova do të miratojë masat adekuate sipas nevojës për të promovuar në të gjitha fushat e jetës ekonomike, sociale, politike dhe kulturore një barazi efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve. Masat e tilla nuk do të konsiderohen të jenë vepër e diskriminimit.

2.5 Kosova do të promovojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve si pjesë përbërëse e trashëgimisë së Kosovës. Kosova do të ketë një detyrë të posaçme për të siguruar një mbrojtje efektive të objekteve dhe monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për komunitetet.

2.6 Kosova do të ndërmerr veprime efektive kundër të gjithë atyre që minojnë gëzimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve. Kosova do të përmbahet nga politikat apo praktikat që kanë për qëllim asimilimin kundër vullnetit të tyre të personave të cilët u përkasin komuniteteve dhe do të mbrojë këta persona nga çfarëdo veprimi që ka për qëllim një asimilim të tillë.

2.7 Kosova do të sigurojë, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre mund të ushtrojnë të drejtat e tyre të specifikuar më tutje.



Neni 3 Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre

3.1 Pjesëtarët e komuniteteve do të kenë të drejtën, në mënyrë individuale apo si pjesë e komunitetit, që të:

a) Shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe ruajtjen e elementeve thelbësore të identitetit të tyre, kryesisht fesë, gjuhës, traditave dhe kulturës së tyre.

b) Pranojnë arsimim publik në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës sipas zgjidhjes së tyre në të gjitha nivelet;

c) Pranojnë arsimim publik parashkollor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e tyre deri në masën e parashikuar me legjislacion, nëse pragjet për themelimin e paraleleve apo shkollave të veçanta për këtë qëllim janë më të ulëta se ato që zakonisht parashihen për institucionet arsimore;

d) Themelojnë dhe menaxhojnë institucionet private të arsimit dhe trajnimit për të cilat mund të jepet ndihma financiare publike në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

e) Përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre lirisht privatisht dhe publikisht;

f) Përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre në marrëdhëniet e tyre me autoritetet komunale apo zyret lokale të autoriteteve qendrore në fushat në të cilat ata përfaqësojnë një përqindje të mjaftueshme të popullatës në pajtim me ligjin. Shpenzimet e bëra për përdorimin e interpretuesit apo përkthyesit do të barten nga autoritetet komunale.

g) Përdorin dhe shfaqin simbolet e komunitetit në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;

h) Kenë emrat lokal të regjistruar në formën e tyre origjinale dhe në shkrimin e gjuhës së tyre si dhe të kthejnë emrat e tyre në formën origjinale nëse të njëjtat janë ndryshuar me forcë;

i) Kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografik që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshme ndaj karakterit shumetnik dhe shumë gjuhësor të fushës në fjalë:

j) Qasje të garantuar në dhe përfaqësim të posaçëm në, mediat transmetuese publike si dhe programet në gjuhën e tyre në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;

k) Krijojnë dhe përdorin mediat e tyre vetanake, përfshirë këtu ofrimin e informatave në gjuhën e tyre dhe përdorin numrin e rezervuar të frekuencave për mediat elektronike në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;

l) Gëzojnë kontakte të papenguara ndërmjet njëri tjetrit brenda Kosovës dhe themelojnë dhe mbajnë kontakte të lira dhe paqësore me personat në cilindo shtet në veçanti me ata me të cilët ndajnë identitetin etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar apo trashëgiminë e përbashkët kulturore në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare;

m) Gëzojnë kontakte të papenguara me dhe marrin pjesë pa diskriminim në aktivitetet e organizatave joqeveritare lokale, regjionale dhe ndërkombëtare;

n) Themelojnë shoqata për kulturë, art, shkencë dhe arsim si dhe shoqata e studiuesve dhe të tjera për shprehjen, avancimin dhe zhvillimin e identitetit të tyre.


Neni 4 Pjesëmarrja e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në jetën publike dhe vendim-marrje

4.1 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të përfaqësohen në Kuvend. Legjislacioni i caktuar në mënyrë specifike me kushtetutë nuk mund të nxirret apo ndryshohet pa pëlqimin e deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë ulëset e rezervuara apo garantuara për komunitetet siç parashihet me nenin 3.7 të Aneksit I.

4.2 Përbërja e qeverisë dhe procesi i emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të parashikojë modalitetet e posaçme të cilat sigurojnë pjesëmarrjen e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre siç parashihet me Anekset I dhe IV.

4.3 Do të jetë një Këshill Konsultativ për Komunitete nën ombrellën e Kryetarit të Kosovës në të cilin do të përfaqësohen të gjitha komunitetet. Ky Këshill Konsultativ për Komunitete do të përbëhet, në mes tjerash, nga përfaqësuesit e asociacioneve të komuniteteve. Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete do të përfshijnë si në vijim:

4.3.1 Ofrojë një mekanizëm për shkëmbimin e rregullt ndërmjet të komuniteteve dhe qeverisë së Kosovës;

4.3.2 Jep mundësinë komuniteteve për të komentuar në një fazë të hershme për iniciativat legjislative dhe të miratimit të politikave të cilat mund të përgatiten nga qeveria, për të sugjeruar iniciativa të tilla dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të inkorporohen në projektet dhe programet përkatëse.

4.3.3 Çdo përgjegjësi apo funksion tjetër të parashikuar me këtë Marrëveshje apo në pajtim me ligjin.

4.4 Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të kenë të drejtë për përfaqësim të barabartë në punësim në organet publike dhe ndërmarrjet shoqërore në të gjitha nivelet, përfshirë këtu në veçanti punësimin në shërbimin policor në zonat e banuara me komunitetin përkatës duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat që kanë të bëjnë me kompetencën dhe integritetin që qeveris me administratën publike.

4.5 Në komunat në të cilat së paku dhjetë (10) përqind e banorëve i përkasin komuniteteve të cilat nuk janë në shumicë në ato komuna, posti i Nënkryetarit të Kuvendit Komunal do të rezervohet për një përfaqësues nga radhët e këtyre komuniteteve. Pozita e Nënkryetarit do të mbahet nga kandidati që i përket popullatës joshumicë i cili ka pranuar shumicën e votave në listën e hapur të kandidatëve për zgjedhje për Kuvendin Komunal. Nënkryetari për komunitete do të promovojë dialog mes komuniteteve dhe do të shërbejë si pikë formale e kontaktit për adresimin e brengave dhe interesave të komuniteteve joshumicë në takimet e Kuvendit dhe punën e tij. Nënkryetari gjithashtu do të jetë përgjegjës për shqyrtimin e ankesave të që parashtrohen nga komunitetet dhe pjesëtarët e tyre sa i përket pohimeve se vendimet apo aktet e kuvendeve komunale shkelin të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë. Nënkryetari do t’i referojë këto çështje tek Kuvendi Komunal për shqyrtim të serishëm të vendimit apo aktit. Në rast se Kuvendi Komunal zgjedh që të mos shqyrtojë aktin apo vendimin e vet, apo nëse nënkryetari vlerëson se rezultati edhe pas shqyrtimit paraqet shkelje të drejtave të garantuara me kushtetutë, nënkryetari mund të dorëzojë këtë çështje drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të vendosë nëse do të pranojë këtë rast për shqyrtim.


ANEKSI III
DECENTRALIZIMI



Do të themelohet një sistem i avancuar dhe i qëndrueshëm i vetëqeverisjes lokale në Kosovë për trajtimin e shqetësimeve legjitime të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera që nuk përbëjnë shumicë në Kosovë dhe anëtarëve të tyre, për të inkurajuar dhe siguruar pjesëmarrje aktive në jetën publike dhe për të fuqizuar qeverisjen e mirë dhe efikasitetin dhe efektshmërinë e shërbimeve publike anembanë Kosovës, në pajtim me parimet dhe dispozitat në vijim:

Neni 1 Dispozitat themelore

1.1 Vetëqeverisja lokale në Kosovë do të bazohet në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe veçanërisht në parimin e subsidiaritetit.

1.2 Vetëqeverisja lokale në Kosovë do të mbrojë dhe promovojë standardet e pranuara ndërkombëtarisht të të drejtave të njeriut, me konsideratë të veçantë në nevojat e komuniteteve jo shumicë dhe anëtarëve të tyre në Kosovë.

1.3 Parimet kryesore të decentralizimit do të parashihen në Kushtetutë, siç parashihet në nenin 8 të Aneksit I të kësaj Marrëveshje.

Neni 2 Legjislacioni i Kosovës për Vetëqeverisje Lokale

2.1 Kosova do të nxjerrë Ligjin e ri mbi Vetëqeverisjen Lokale brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, i cili do të përforcojë kompetencat dhe organizimin e komunave, siç parashihet në këtë Aneks dhe në Aneksin XII.

2.2 Kosova do të nxjerrë Ligjin e ri mbi Kufijtë Komunal brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, i cili do të përvijon komunat e reja, siç parashihet në këtë Aneks dhe në Aneksin XII.

2.3 Kosova do të nxjerrë legjislacionin themelor, në pajtim me parimet e përcaktuara në këtë Aneks, në mënyrë që të sigurohen trajtimi i paanshëm dhe standardet minimale për të gjitha komunat, lidhur me rregullimin dhe çështjeve publike që bien në përgjegjësinë e tyre, veçanërisht duke respektuar parimin subsidiaritetit.

Neni 3 Kompetencat komunale


3.1 Komunat në Kosovë do të kenë kompetenca të plota dhe ekskluzive, përderisa u përket interesit lokal, duke respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi në fushat në vijim (më tej, kompetencat vetanake).

a. Zhvillimi lokal ekonomik;
b. Planifikimi urban dhe rural;
c. Përdorimi dhe zhvillimi i tokës;
d. Implementimi i rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve të kontrollit të ndërtimit;
e. Mbrojtja lokale e mjedisit;
f. Ofrimi dhe mirëmbajtja e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizimin dhe drenazhin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, rrugët lokale, transporti lokal dhe skemat e ngrohjes lokale;
g. Përgjigja ndaj situatave emergjente lokale;
h. Ofrimi i arsimit publik parashkollor, fillestar dhe të mesëm, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit, punësimin, pagimin e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit;
i. Ofrimi i kujdesit shëndetësor primar publik;
j. Shërbimet familjare dhe shërbimet tjera;
k. Banimi publik;
l. Shëndetësia publike;
m. Licencimi i shërbimeve dhe objekteve lokale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me argëtimin, aktivitetet kulturore dhe ato të kohës së lirë, ushqimin, strehimin, tregjet, shitësit e rrugës, transporti lokal publik dhe taksitë;
n. Emërimi i rrugëve lagjeve dhe vendeve tjera publike;
o. Ofrimi dhe mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirave publike;
p. Turizmi;
q. Aktivitetet kulturore dhe të kohës së lirë;
r. Çdo çështje tjetër që në mënyrë të shprehur nuk përjashtohet nga kompetenca e tyre, apo që nuk i është përcaktuar një autoriteti tjetër;

Neni 4 Kompetencat e zgjeruara vetanake komunale

4.1 Disa komuna të caktuara në Kosovë do të kenë kompetenca vetanake të zgjeruara si vijon:

4.1.1 Komuna e Mitrovicës së Veriut do të ketë kompetencën e arsimit të lartë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit, punësimit, pagimit të rrogave dhe trajnimit të instruktorëve dhe administratorëve të arsimit;

4.1.2 Komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës do të kenë kompetenca për ofrimin e kujdesit shëndetësorë sekondarë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësorë, punësimin, pagimin e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe administratorëve të kujdesit shëndetësor;

4.1.3 Të gjitha komunat në të cilat komuniteti serb është shumicë, do të kenë:
a. Autoritetin për të ushtruar përgjegjësinë për çështje kulturore, përfshirë, në pajtim me dispozitat e Aneksit V të kësaj Marrëveshjeje, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe dhe tjetër brenda territorit komunal si dhe përkrahjen për komunitetet tjera fetare lokale:

b. Të drejta të avancuara pjesëmarrëse në zgjedhjen dhe shkarkimin e Komandantëve të stacioneve policore, siç përcaktohet në nenin 2.6 të Aneksit VIII të kësaj Marrëveshjeje.

4.2 Për sa i përket këtyre kompetencave të zgjeruara vetanake, Kosova do të nxjerr legjislacionin kornizë për të ofruar qasje të barabartë ndaj shërbimeve publike; standardet minimale cilësore dhe sasiore në ofrimin e shërbimeve publike; kualifikimet minimale të personelit dhe objektet e trajnimit; parimet e përgjithshme mbi licencimin dhe akreditimin e ofruesve të shërbimeve publike.

4.3 Komunat që zbatojnë kompetencat e zgjeruara vetanake mund të bashkëpunojnë me çdo komunë tjetër në ofrimin e shërbimeve të tilla.

Neni 5 Kompetencat e Deleguara Komunale

5.1 Autoritetet qendrore në Kosovë do të delegojnë përgjegjësitë mbi kompetencat në vijim tek komunat, në pajtim me ligjin:

a. Regjistrat kadastrale;
b. Regjistrat civil;
c. Regjistrimi i votuesve;
d. Regjistrimi dhe licencimi i bizneseve;
e. Shpërndarja e pagesave të asistencës sociale (përjashtuar pensionet); dhe
f. Mbrojtjen e pyjeve.

5.2 Autoritetet qendrore mund të delegojnë kompetenca shtesë tek komunat, sipas nevojës, në përputhje me ligjin.

Neni 6 Rishikimi administrativ i aktiviteteve komunale

6.1 Rishikimi administrativ i aktiviteteve komunale nga ana e autoriteteve qendrore në fushat e kompetencave të tyre vetanake do të kufizohet në sigurimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

6.1.1 Autoriteti mbikëqyrës administrativ mund të kërkojë nga komuna që të rishqyrtojë vendimet apo aktet tjera ligjore që konsiderohen si jo të pajtueshme me Kushtetutën apo ligjet e miratuara në pajtim me këtë Marrëveshje. Kërkesa e tillë do të tregojë shkeljet e pretenduara ndaj Kushtetutës apo ligjit. Kërkesa nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit komunal apo aktin tjetër ligjor.

6.1.2 Nëse komuna pranon kërkesën në përputhje me nenin 6.1.1 të këtij Aneksi, ajo mund të vendosë të pezullojë ekzekutimin e vendimit apo aktit tjetër ligjor që është në pritje të shqyrtimit nga ana e autoriteteve komunale.
6.1.3 Nëse komuna refuzon kërkesën apo vërteton vendimin apo aktin e tij që është në shqyrtim e sipër, autoriteti mbikëqyrës administrativ mund të sfidojë vendimin apo aktin tjetër ligjor në Gjykatën e Qarkut kompetente për territorin e komunës. Gjykata e Qarkut, përmes masës së përkohshme, mund të urdhërojë pezullimin e zbatimit të vendimit të kontestuar apo aktit tjetër ligjor.

6.2 Për sa i përket kompetencave të deleguara komunale, autoritetet qendrore mund të rishikojnë përshtatshmërinë e vendimit apo aktit tjetër ligjor komunal të dhënë, krahas pajtueshmërisë së tij me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me këtë Marrëveshje dhe më pas, mund të pezullojnë, modifikojnë apo zëvendësojnë, sipas nevojës, ekzekutimin e vendimit apo aktit tjetër komunal.

Neni 7 Arsimi

7.1 Për sa i përket planprogramit arsimor të shkollave të Kosovës me mësim në gjuhën serbe:

7.1.1 Shkollat të cilat vijojnë mësim në gjuhën serbe mund të zbatojnë planprograme apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Serbisë, pas njoftimit ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

7.1.2 Në rast të kundërshtimit nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës ndaj zbatimit të planprogramit apo tekstit shkollor të veçantë, çështja do të referohet tek një komision i pavarur për të shqyrtuar pajtueshmërinë e planprogramit apo tekstit shkollor në fjalë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me këtë Marrëveshje.

7.1.3 Komisioni i pavarur do të përbëhet nga tre (3) përfaqësues të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për komunitetin serb, tre (3) përfaqësues të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, dhe një (1) pjesëtar i zgjedhur ndërkombëtar që përfaqëson Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar.

7.1.4 Komisioni do t’i merr të gjitha vendimet me anë të shumicës së votave dhe do të Kryesohet përmes rotacionit në mes të përfaqësuesit të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mbajnë ulëse të rezervuara apo garantuara për komunitetin serb dhe përfaqësuesit të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës çdo vit.

7.2 Për sa i përket universitetit publik në gjuhën serbe:

7.2.1 Universiteti i Mitrovicës së Veriut do të jetë institucion autonom i arsimit të lartë. Universiteti do të miratojë statutin që do të saktësojë organizimin e brendshëm dhe qeverisjen e tij, dhe procedurat dhe ndërveprimin me autoritetet publike, në pajtim me legjislacionin kornizë qendror, i cili do të shqyrtohet nga një komision i pavarur siç parashihet në nenin 7.2.2 të këtij Aneksi.

7.2.2 Vendimet mbi pajtueshmërinë e Statutit me legjislacionin kornizë qendror, standardet evropiane dhe praktikat më të mira dhe mbi çështjet që kanë të bëjnë me akreditimin e Universitetit brenda sistemit Universitar të Kosovës do të merren nga një komision i pavarur i përbërë nga tre (3) përfaqësues të zgjedhur nga Universiteti, tre (3) përfaqësues të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe një (1) pjesëtar i zgjedhur ndërkombëtar që përfaqëson Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar. Komisioni do t’i merr të gjitha vendimet me anë të shumicës së votave dhe do të kryesohet përmes rotacionit në mes të përfaqësuesit të zgjedhur nga Universiteti dhe përfaqësuesit të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, çdo vit.

7.2.3 Komuna e Mitrovicës së Veriut do të ketë autoritet për të zbatuar përgjegjësinë e këtij Universiteti publik në gjuhën serbe, në pajtim me nenin 4.1.1 të këtij Aneksi. Komuna do të ketë të drejtën e emërimit të dy anëtarëve të Bordit të Universitetit, që do të përbëhet nga gjithsej nga nëntë (9) anëtarë gjithsej. Komuna gjithashtu do të sigurojë se Universiteti pranon premisa dhe financim adekuat për veprimtarinë e tij.

Neni 8 Financat lokale

8.1 Komunat do të formojnë buxhetet e tyre vetanake që mbulojnë detyrat që bien brenda kompetencës së tyre. Legjislacioni qendror do të përcaktoj kërkesat publike të menaxhimit dhe përgjegjësisë financiare të zbatueshme për të gjitha komunat, në pajtim me standardet ndërkombëtare.

8.2 Komunat do të kenë të drejtë në burimet e tyre vetanake financiare, që do të përfshijnë autoritetin për të vënë apo mbledhur detyrimet doganore, tatimet në të ardhura të personave fizik dhe juridik, TVSh-në dhe detyrimet e akcizës, tatimet në kapital përveç tatimit në pronën e paluajtshme që gjendet brenda Komunës, apo tarifat që kanë efekt të paanshëm siç janë detyrimet dhe tatimet.

8.3 Sistemi ekzistues i granteve kryesisht të kushtëzuara qendrore do të korrigjohet në mënyrë që të përfshijë sistemin e drejtë dhe transparent të granteve në bllok, duke siguruar autonominë më të madhe komunale në ndarjen dhe shpenzimin e fondeve qendrore. Formula e shpërndarjes së granteve në bllok, e cila do të merr parasysh nevojën e ndarjes adekuate të burimeve të komuniteteve jo shumicë në komunat përkatëse, nevojën për sistem të drejtë të barazimit dhe që do të sigurojë nivel të arsyeshëm të stabilitetit në të ardhurat komunale, do të përcaktohet përmes ligjit në pajtim me standardet ndërkombëtare.

8.4 Pavarësisht nga dispozitat e nenit 8.3 të këtij Aneksi, komunat me përgjegjësi të kompetencave të zgjeruara vetanake, siç parashihet në nenin 4 të këtij Aneksi, do të kenë të drejtë në fonde qendrore shtesë përbrenda kufizimeve të tyre të përcaktuara nga standardet minimale cilësore dhe sasiore për ofrimin e shërbimeve publike lidhur me ushtrimin e këtyre përgjegjësive, në pajtime legjislacionin kornizë qendror.

8.5 Komunat do të sigurojnë auditime të brendshme të pavarura dhe objektive së paku një herë në vit dhe do t’i nënshtrohet auditimeve të jashtme të pavarura të rastit të ndërmarra nga një autoritet autonom në mënyrë që të sigurojë menaxhim efektiv të burimeve publike, rezultatet e të cilit duhet të jenë publike.

Neni 9 Bashkëpunimi ndërkomunal

9.1 Duke u bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë dhe të krijojnë partneritete me komunat tjera të Kosovës, për kryerjen e funksioneve të interesit të përbashkët, në pajtim me ligjin.

9.1.1 Përgjegjësitë komunale në fushat e tyre vetanake dhe kompetencat e tyre të zgjeruara vetanake mund të ushtrohen përmes partneriteteve komunale në përjashtim të ushtrimit të kompetencave themelore komunale siç janë zgjedhja e organeve komunale dhe emërimi i zyrtarëve komunal, përcaktimi i buxhetit komunal dhe miratimi i akteve rregullative të zbatueshëm ndaj qytetarëve në përgjithësi.

9.1.2 Partneritetet komunale mund t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin dhe ushtrimin e bashkëpunimit funksional përmes, mes tjerash, themelimin e një organi vendimmarrës të përbërë nga përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse, punësimit dhe shkarkimit të personelit administrativ dhe këshillëdhënës dhe vendimeve mbi nevojat për financim dhe nevojave tjera operacionale të partneritetit.

9.1.3 Vendimet dhe aktivitetet e partneritetit do t’i nënshtrohen kërkesave të raportimit tek autoriteti kompetent qendror dhe shqyrtimit administrativ për pajtueshmëri me legjislacionin, në pajtim me dispozitat e nenit 6.1 të këtij Aneksi.

9.2 Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkët në pajtueshmëri me ligjin.

9.2.1 Anëtarësimi në asociacionet e tilla do të kufizohet në komuna të Kosovës. Asociacionet e tilla mund të bashkëpunojnë me homologët e tyre ndërkombëtarë.

9.2.2 Asociacionet e tilla mund t’i ofrojnë anëtarëve të tyre disa shërbime, përfshirë asistencë të trajnimit, ngritjes së kapaciteteve dhe asaj teknike, hulumtimin lidhur me kompetencat komunale dhe rekomandime të politikave,

9.3 Komunat e angazhuara në një partneritet apo asociacion, në përputhje me dispozitat e neneve 9.1 dhe 9.2 të këtij Aneksi, do të publikojnë të gjitha informatat që kanë të bëjnë me aktivitetet dhe buxhetin e partneritetit/asociacionit, në pajtim me ligjin.


Neni 10 Bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Serbisë


10.1 Komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë, brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare, të Republikës së Serbisë. Bashkëpunimi i tillë do të merr formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë në implementimin e kompetencave komunale.

10.2 Komunat do të njoftojnë Ministrinë për Administrimin e Pushtetit Lokal të Kosovës paraprakisht për çfarëdo qëllimi për t’u angazhuar në një bashkëpunim të tillë. Njoftimi do të përfshijë draft marrëveshjen ndërmjet të komunës dhe institucionit partner të propozuar të Serbisë.

10.3 Draft marrëveshja e bashkëpunimit do të përkufizojë fushat e bashkëpunimit të paraparë, ofrimin e stafit dhe pajisjeve, nivelin e financimit dhe mekanizmat e vet përpunues dhe aranzhimet tjera relevante procedurale në pajtim me kërkesat financiare publike që janë të zbatueshme për të gjitha komunat.

10.4 Qëllimi i tillë për të bashkëpunuar dhe draft marrëveshja e cila e shoqëron atë munden të jenë objekt i rishikimit nga Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal të Kosovës për pajtueshmërinë e saj me legjislacionin kornizë qendror. Pavarësisht nga dispozitat e nenit 6.1 të këtij Aneksi, Ministria në përputhje me rishikimin e tillë mundet të urdhërojë ndryshimet në draft marrëveshjen e bashkëpunimit apo nëse shkelja e rëndë e ligjit nuk mundet të trajtohet me mjete juridike ndryshe, Ministria mundet të pezullojë bashkëpunimin e synuar. Komuna mundet të kundërshtojë veprimin e tillë të Ministrisë në gjykatën e qarkut kompetente për territorin e komunës.

10.5 Partneritetet ndërmjet komunave të Kosovës do të kenë të drejtë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet e Republikës së Serbisë vetëm deri në masën e nevojshme për implementimin e aktiviteteve praktike të partneritetit.

10.6 Një komision i përbashkët i Republikës së Serbisë/Kosovës do të themelohet për të shtytur bashkëpunimin e tillë me institucionet në Republikën e Serbisë dhe adresuar çështjet e ndjeshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që ka të bëjë me këtë bashkëpunim.

Neni 11 Financimi i aktivitetet komunale nga Republika e Serbisë

11.1 Komunat do të kenë të drejtë të pranojnë donacione financiare nga Republika e Serbisë që është objekt i dispozitave në vijim:

11.1.1 Çdo donacion financiar për komunat e Kosovës nga Republika e Serbisë do të jetë i kufizuar në qëllimin e vet në ushtrimin e përgjegjësive të komunës në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe do të jetë transparent dhe do të bëhet publik.

11.1.2 Komunat munden të pranojnë donacionet financiare nga Republika e Serbisë nëpërmjet të xhirollogarive në bankat komerciale të certifikuara nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës. Thesari Qendror do të njoftohet për çdo pranim të tillë.

11.1.3 Komunat që pranojnë donacione financiare nga Republika e Serbisë do të raportojnë këto donacione së bashku me shpenzimet gjegjëse në buxhetet e tyre komunale.

11.1.4 Donacionet financiare nga Republika e Serbisë për komunat e Kosovës nuk do të kompensojë ndarjen e granteve dhe burimeve të tjera që u ofrohen komunave në pajtim me nenet 8.3 dhe 8.4 të kësaj Marrëveshje dhe nuk do të jetë objekt i taksave, tarifave dhe ngarkesave shtesë të shqiptuara nga ndonjë autoritet qendror.

11.2 Transferet individuale, përfshirë pensionet, qytetarëve individual të Kosovës munden të ndikohen nëpërmjet të financimit nga Republika e Serbisë.


Neni 12 Themelimi i komunave të reja

12.1 Komunat e reja do të themelohen, kufijtë e të cilave janë caktuar si në shtojcën e këtij Aneksi dhe do të përcaktohen me ligjin e ri për kufijtë komunal.

12.2 Pas hyrjes në fuqi të ligjit për kufijtë komunal, autoritetet e Kosovës dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) do të ndërmerr të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar që deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të jenë ndarë burimet, pronat dhe strukturat administrative të kërkuara për themelimin dhe funksionimin e këtyre komunave të reja. Përgatitjet e tilla do të përfshijnë si në vijim:

12.2.1 PCN-ja do të emërojë, në këshillim me komunitetet lokale në komunat e reja, apo në rastin e Novobërdës në zonat e reja kadastrale, dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ekipet Përgatitore Komunale (EPK) për t’u përgatitur për themelimin e komunave të tyre të reja përkatëse dhe detyrat tjera të ndërlidhura siç kërkohet nga PCN-ja.

12.2.2 Gjatë përgatitjeve të tilla, funksionet ekzekutive përkitazi me komunat e reja dhe ofrimin e shërbimeve publike atyre do të mbeten në përgjegjësi të ish komunave në këshillim me EPK-të.

12.2.3 Sa i përket komunës së tanishme të Mitrovicës, aranzhimet për themelimin e komunës së Mitrovicës Veriore do të përbëhet nga ata siç parashihet me nenin 13 të këtij Aneksi.

12.2.4 Këto dhe aranzhimet tjera kalimtare ndërmjet ish komunave dhe komunave të reja do të parashihen me ligjin për kufijtë komunal.

12.3 Menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të gjitha funksionet dhe kompetencat ekzekutive do të barten nga komunat e paraprake tek qeveritë e porsazgjedhura të komunave të reja, në pajtim me këtë Marrëveshje. Autoritetet qendrore të Kosovës do të sigurohen që të gjitha financat e parapara për komunat e reja tu ndahen atyre dhe që ato t’i kenë pranuar këto fonde, dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për tu siguruar që komunat e reja të jenë në gjendje të fillojnë veprimtarinë e tyre si njësi efektive territoriale të vetëqeverisjes lokale.

12.4 Pavarësisht nga dispozitat e Nenit 12.1 të këtij Aneksi, Kosova do të hyjë në konsultime me komunitetet joshumicë në rastet kur ky komunitet përbën së paku 75% të popullsisë në një vendbanim të përqendruar me popullsi të gjithmbarshme prej së paku 5000 banorësh, sa i përket themelimit të komunave të reja.

Neni 13 Mitrovica

13.1 Në territorin e komunës aktuale të Mitrovicës do të krijohen dy komuna, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut, me kufij komunal të përcaktuar në shtojcën e këtij Aneksi III.

13.2 Do të krijohet një Bord i Përbashkët i komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut, i cili do të zhvillojë bashkëpunim funksional në fushat e kompetencave të tyre, sipas marrëveshjes mes vetë komunave.

13.3 Bordi i Përbashkët do të përbëhet nga njëmbëdhjetë (11), nga të cilët nga pesë (5) anëtarë do të zgjidhen nga dy komunat, dhe një (1) përfaqësues ndërkombëtar që do të zgjidhet nga PCN. Bordi i Përbashkët do të udhëhiqet nga përfaqësuesi ndërkombëtar.

13.4 PCN do të hapë në Mitrovicë një zyrë e cila do të fokusohet, posaçërisht, në fushat e sigurisë/sundimit të ligjit, lirisë së lëvizjes/kthimit, të drejtave pronësore/të banimit, dhe zhvillimit ekonomik, siç parashihet në Aneksin IX të kësaj Marrëveshje.

13.5 Gjatë periudhës tranzitore prej 120 ditësh, PSSP do të krijojë strukturat e përkohshme komunale, në bashkërendim me PCN, për komunën e re të Mitrovicës së Veriut, sipas kufijve të përcaktuar në dokumentin e bashkëngjitur këtij Aneksi. Pas përfundimit të periudhës tranzicionit, këto struktura të përkohshme komunale do të mbesin nën autoritetin e PCN, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të para lokale në këtë komunë.


Neni 14 Regjistrimi i Popullsisë dhe Shqyrtimi i Dispozitave të Decentralizimit

14.1 Një vit pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Kosova, në këshillim me PCN, do të bëjë regjistrimin e popullsisë, i cili do të kryhet në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe do t’i nënshtrohet vëzhgimit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, Republika e Serbisë dhe shtetet tjera fqinje do të autorizojnë regjistrimin përmes një agjencie ndërkombëtare të refugjatëve dhe personave të zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

14.2 Dispozitat e këtij Aneksi lidhur me themelimin e komunave të reja, përfshirë kufijtë administrativë të tyre, mund të rishqyrtohen, dhe të ndryshohen sipas nevojës, nga PCN, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete, brenda gjashtë muajsh nga dorëzimi i rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Shqyrtimi do të marrë në konsideratë zhvillimet demografike dhe në veçanti kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur nëpër komuna, si dhe funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e autoriteteve komunale dhe aktiviteteve të tyre.

SHTOJCË E ANEKSIT III
PËRCAKTIMI I KUFIJVE TË KOMUNAVE TË REJA

Zonat kadastrale (ZK) që do të formojnë komunat e caktuara janë të përcaktuara në vijim:

Graçanicë (16)
ZK Badoc
ZK Batushë
ZK Çagllavicë (sipas përkufizimit në hartën III A)
ZK Dobratin
ZK Graçanicë
ZK Gushtericë e Ulët
ZK Gushtericë e Epërme
ZK Llapllasellë
ZK Lepi
ZK Livagjë
ZK Preoc
ZK Skullan
ZK Sushicë
ZK Suhadoll
ZK Radevë
ZK Uglar

Novobërdë (24)
ZK Bostan
ZK Bolec
ZK Bushincë
ZK Carevc
ZK Dragancë
ZK Izvor
ZK Jasenovik
ZK Kollubar
ZK Koretishtë
ZK Kufcë e Epërme
ZK Llabjan
ZK Makresh i Ulët
ZK Makresh i Epërm
ZK Manishincë
ZK Miganoc
ZK Mozgovë
ZK Novobërdë
ZK Parallovë
ZK Prekoc
ZK Stanishor
ZK Strazhë
ZK Tërniqec
ZK Tirincë
ZK Zebincë

Ranillug (13)
ZK Bozhec
ZK Domoroc
ZK Drenoc
ZK Gllogoc
ZK Hodec
ZK Kormnjan i Epërm
ZK Kormnjan i Ulët
ZK Pançellë
ZK Rajanoc
ZK Ranillug
ZK Ropotovë e Madhe
ZK Ropotovë e Vogël
ZK Tomanc

Partesh (3)
ZK Butrikë e Poshtme
ZK Pasjan
ZK Partesh

Kllokol/Vërboc (8)
ZK Gërnçar
ZK Kllokot
ZK Letnica
ZK Mogillë
ZK Shashar
ZK Vërboc
ZK Vërnakollë
ZK Vërnez

Mitrovica e Veriut
ZK Mitrovica (sipas përkufizimeve të paraqitura në hartat e bashkëngjitura III, B, C)
ZK Suhodoll i Epërm (sipas përkufizimeve të paraqitura në hartat e bashkëngjitura III, B dhe C)
ZK Suhodoll i Poshtëm (sipas përkufizimeve të paraqitura në hartat e bashkëngjitura III, B dhe C)


ANEKSI IV
SISTEMI GJYQËSOR


Neni 1 Organizimi i gjykatave

1.1 Gjykata Supreme siguron zbatimin uniform të ligjeve duke vendosur mbi ankesat e
paraqitura para saj në pajtim me ligjin. Së paku pesëmbëdhjetë përqind (15%) të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por në asnjë rast më pak se tre (3) gjyqtarë, do të vijnë nga komunitetet jo shumicë të Kosovës.

1.2 Së paku pesëmbëdhjetë përqind (15%) të gjyqtarëve të secilës gjykatë të qarkut, por në
asnjë rast më pak se dy (2) gjyqtarë, do të vijnë nga komunitetet jo shumicë të Kosovës.

1.3 Nëse në njërën nga komunat e reja dhe të themeluara mbi bazën e Aneksit III nuk ka
gjykatë themelore, komuna me vendim të Kuvendit Komunal mund ta parqet kërkesën para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të vendosur mbi themelimin e gjykatës themelore në territorin e saj, ose që një nga gjykatat ekzistuese themelore në territorin e komunës tjetër të ketë juridiksion mbi komunën e re. Të njëjtën të drejtë e ka edhe komuna ekzistuese, ku shumica e popullatës i takon komunitetit jo shumicë të Kosovës, dhe në të cilën nuk ka gjykatë themelore.

1.3.1 KGJK i aprovon kërkesat për gjykata të reja themelore, përveç kur vlerësohet se
norma e lëndëve për atë juridiksion është e pamjaftueshme për ta arsyetuar ekzistimin e gjykatës së veçantë.

1.3.2 Kur KGJK e aprovon kërkesën për themelimin e gjykatës së re themelore,
autoritetet kompetente do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar se gjykatat e reja, themelohen dhe funksionojnë brenda periudhës gjashtë mujore nga data e marrjes së vendimit.

1.3.3 Nëse KGJK nuk e aprovon kërkesën për themelimin e gjykatës së re themelore, ose
kur komuna i kërkon gjykatës ekzistuese që ta shtrijë kompetencën e saj edhe në territorin e vet, autoritetet kompetente do të ndërmarrin masat e nevojshme për përmirësimin e qasjes në drejtësi për komunitetet vendëse, e cila është vështirësuar për shkak të izolimit gjeografik, mungesës së sigurisë, ose për shkak të faktorëve tjerë të rëndësishëm. Këto masa mund të përfshijnë krijimin në kuadër të territorit të komunës së re, të një zyre ndërlidhëse të gjykatës themelore ekzistuese prej të cilës komuna e re ka kërkuar shtrirjen e kompetencës në territorin e vet, ose që gjykata themelore të mbajë seancat në territorin e komunës së re.

Neni 2 Gjyqtarët dhe prokurorët


2.1 Përbërja dhe shërbimit të gjyqësisë dhe prokurorisë do ta pasqyrojë shumëllojshmërinë e etnike të Kosovës dhe nevojën për përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve, duke i dhënë rëndësi të duhur parimeve të njohura ndërkombëtare për barazinë gjinore, ashtu siç pasqyrohen edhe në instrumentet për të drejtat e njeriut të parashikuara me nenin 2 të Aneksit I të kësaj Marrëveshjeje.

2.2 Institucionet gjyqësore të Kosovës, në veçanti do të pasqyrojnë përbërjen etnike nga fusha e tyre e kompetencës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të ndërmerr masa të nevojshme për shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve të Kosovës të cilat aktualisht janë të nën-përfaqësuara në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që shërbejnë në Kosovë dhe në çdo pjesë tjetër përkatëse.

2.2.1 Për përmbushjen e përgjegjësive të veta në këtë drejtim, KGJK, në mes tjerash, në mesin e kandidatëve me kualifikime të barabarta për funksionin e gjyqtarit dhe prokurorit, do t’i jep përparësi pjesëtarëve të komuniteteve të nën-përfaqësuara.

2.2.2 Dhënia e përparësisë për kandidatët me kualifikime të barabarta nga komunitetet e nën-përfaqësuara, do të zbatohet deri atëherë kur përqindja e gjyqtarëve dhe prokurorëve pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë në Kosovë të jetë nën 15% dhe/ose deri atëherë kur përqindja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët janë pjesëtarë të komunitetit serb të Kosovës, të jetë nën 8%.


Neni 3 Procesi i emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

3.1 Shqyrtimi gjithëpërfshirës, i vazhdueshëm, i njëhershëm kosovar për përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve për emërime të përhershme për gjyqtarë dhe prokuror në Kosovë, deri në moshën e pensionimit të përcaktuar me ligj (“procesi i emërimit), do të vazhdojë të kryhet në pajtim me Urdhëresën administrative 2006/18 dhe nuk do të ndikohet nga përfundimi e mandatit të UNMIK-ut, ose me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re, ashtu siç parashikohet me nenin 14 të Marrëveshjes, përveç deri në masën e lejuar me këtë Aneks.

3.1.1 Të gjithë kandidatët e suksesshëm të cilët janë emëruar ose riemëruar për gjyqtarë dhe prokurorë nga ana e PSSP-së, si pjesë e “procesit të emërimit”, do të vazhdojnë të shërbejnë nëpër postet e tyre deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre ose deri atëherë kur ata shkarkohen në pajtim me ligjin.

3.1.2 Siç parashikohet me nenin 14 të kësaj Marrëveshje, pas përfundimit të mandatit të UNMIK-ut, Komisioni i pavarur gjyqësor dhe prokurorial (KPGJP) do t’ia paraqesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), rekomandimet për kandidatët për emërim dhe riemërim për gjyqtarë dhe prokurorë, e i cili e ushtron autorizimin përfundimtar që t’ia propozojë kryetarit të Kosovës, kandidatët për emërim dhe riemërim për gjyqtarë edhe prokurorë.

3.1.3 Të gjithë kandidatët e suksesshëm të cilët janë emëruar ose riemëruar nga kryetari i Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë, sipas propozimit të KGJK-së si pjesë e “procesit të emërimit” do të vazhdojnë të shërbejnë në këto poste deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre ose deri atëherë kur ata shkarkohen në pajtim me ligjin.

3.2 Me përfundimin e periudhës transitore, të paraparë me nenin 14 të kësaj Marrëveshje, përbërja dhe procedurat e “procesit të emërimit” të KGJK-së, lidhur me përzgjedhjen e gjyqtarëve për pozitat gjyqësore të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë të Kosovës, do të krijohen dhe zhvillohen në pajtim me dispozitat e nenit 4 të këtij Aneksi.

Neni 4 Këshilli Gjyqësor i Kosovës

4.1 Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të ketë përgjegjësi, që midis tjerash, të vendosë mbi propozimet për kandidatët për funksionin e gjyqtarit, avancimin dhe transferimin e gjyqtarëve si dhe për procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve. Me ligj do të përcaktohen autorizimet dhe procedura e KGJK-së, duke përfshirë këtu edhe çështjet që kanë të bëjnë me disiplinën dhe shkarkimin e anëtarëve të vet. KGJK do të ketë pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të veta.

4.2 KGJK do të përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë.

4.2.1 Në mesin e trembëdhjetë anëtarëve, pesë (5) prej tyre do të jenë anëtarët kosovarë të KPGJP-së si pjesë e fazës së parë (1) dhe të dytë (2) të “procesit të emërimit” në pajtim me Urdhëresën administrative 2006/18. Prej këtyre pesë anëtarëve, një (1) gjyqtar dhe një (1) prokuror, të zgjedhur sipas metodës së rastësisë, do të shërbejnë në KGJK deri në skadimin e natyrshëm të mandateve të tyre ekzistuese, me ç’rast do të zëvendësohen me një (1) gjyqtar dhe një (1) prokuror të verifikuar nga KPGJP dhe që janë zgjedhur nga ana e kolegëve të tyre, duke iu përmbajtur metodave të cilat kanë për qëllim sigurimin e përfaqësimit më të gjerë të shërbimit të gjyqësisë dhe prokurorisë. Dy (2) gjyqtarët e mbetur dhe një (1) prokuror, nga radhët e pesë anëtarëve kosovar të KPGJP-së, do të shërbejnë në KGJK për një mandat plotësues njëvjeçar (1) pas skadimit të natyrshëm të mandatit të tyre, me ç’rast ata do të zëvendësohen me procedurë të njëjtë sikur edhe ish-kolegët e tyre të KPGJP-së. Në rast në rast të themelimit të një subjekti përgjegjës për çështjet e emërimit, disiplinës dhe shkarkimit të prokurorëve, të gjithë anëtarët e mbetur të KGJK-së do të jenë gjyqtarë.

4.2.2 Nga radhët e tetë anëtarëve të mbetur, dy (2) prej tyre do t’i zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët mbajnë ulëset e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës, dy (2) anëtarë do të zgjedhën nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë ulëset e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve tjera, dhe dy (2) anëtarë do të zgjedhën nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë ulëset e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të ulëseve. Në secilin rast, së paku një nga dy anëtarët do të jetë gjyqtari i verifikuar nga KPGJP. Dy (2) anëtarë ndërkombëtarë, ku njëri prej të cilëve duhet të jetë gjyqtarë, do të përzgjidhen nga PCN-ja sipas propozimit të misionit të MEPSM-së.

4.2.3 Të gjithë anëtarët e KGJK-së duhet të posedojnë kualifikime relevante profesionale dhe përvojë të nevojshme për punën e KGJK-së.

4.3 Kandidatët për pozita gjyqësore të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë, mund të propozohen për emërim vetëm nga i gjithë KGJK, nga shumica e anëtarëve të KGJK-së të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të cilët zënë ulëset e rezervuara ose të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Nëse ky grup i anëtarëve të KGJK-së nuk e propozon kandidatin për këtë pozitë pas dy seancave të njëpasnjëshme të KGJK-së, atëherë të gjithë anëtarët e KGJK-së do të kenë të drejtën e propozimit të kandidatin për këto pozita gjyqësore. Kandidatët do të tërhiqen nga radhët e atyre që kanë aplikuar dhe të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara me ligj.

4.4 Kandidatët për pozitat gjyqësore për gjykatat themelore nën kompetencën e të cilave hyjnë ekskluzivisht, territori i një apo më shumë komunave ku shumica e popullsisë i takon komunitetit serb të Kosovës, mund të propozohen për emërim vetëm nga i gjithë KGJK, nga dy anëtarët e KGJK-së të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë ulëset e rezervuara ose të garantuara për komunitetin serb të Kosovës të cilët veprojnë bashkërisht në mënyrë unanime. Nëse këta dy anëtarë nuk propozojnë kandidatë për këto pozita gjatë dy seancave të njëpasnjëshme të KGJK-së, atëherë të gjithë anëtarët e KGJK-së do ta kenë të drejtën e propozimit të kandidatëve. Kandidatët do të tërhiqen nga radhët e atyre që kanë aplikuar dhe të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara me ligj.

4.5 Asnjë gjyqtar, nuk mund të shkarkohet ose transferohet kundër dëshirës së tij/saj në një pozitë tjetër, përveç me propozimin e KGJK-së dhe kur këtë e parasheh Kushtetuta dhe ligji. Gjyqtari i pakënaqur me një vendim të tillë, gëzon të drejtën e ankesës para Gjykatës Supreme.



ANEKSI V
TRASHËGIMIA KULTURORE DHE FETARE


Neni 1 Emri, organizimi i brendshëm dhe pasuria e Kishës ortodokse serbe


1.1 Kisha ortodokse serbe (KOS) e Kosovës do të gëzojë mbrojtje dhe gëzim të të drejtave
të veta, privilegje dhe imunitete, ashtu siç parashikohet me këtë Aneks. Ushtrimi i këtyre të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve bartë me vete edhe detyra dhe përgjegjësi për të vepruar në pajtim me ligjet e Kosovës, dhe për të mos shkelur të drejtat e të tjerëve.

1.2 Kosova do ta njeh Kishën ortodokse serbe të Kosovës, duke përfshirë manastiret, kishat
dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare, dhe si pjesë integrale e Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd.

1.3 Kosova do ta respektojë emrin edhe organizimin e brendshëm të Kishës ortodokse
serbe, duke përfshirë këtu edhe hierarkinë dhe aktivitetet e saj.

1.4 Kosova garanton që prona e luajtshme dhe e paluajtshme si dhe pasura tjetër e Kishës
ortodokse serbe, është e paprekshme dhe nuk do të jetë objekt i eksproprijimit.

1.5 Kisha ortodokse serbe në Kosovë do të ketë diskrecion (liri të plotë veprimi) të plotë në
menaxhimin e pasurisë së vet dhe qasjes në objektet e veta. Autoritetet e Kosovës do të kenë qasje në objektet të cilat janë pasuri e Kishës ortodokse serbe të Republikës së Serbisë, vetëm me pëlqimin e dhënë nga Kisha, në rastet e urdhrit gjyqësor të lëshuar në lidhje me aktivitetet ilegale, ose në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin.

Neni 2 Përkrahja ekonomike dhe përkrahja tjetër

2.1 Kisha ortodokse serbe e Kosovës do të jetë e lirë të pranojë donacione dhe të përfitojë nga përkrahja tjetër nga çdo institucion brenda ose jashtë Kosovës. Këto donacione do të jepen në mënyrë plotësisht transparente.

2.2 Kosova do t’i ofrojë Kishës ortodokse të Serbisë privilegje doganore dhe tatimore, krahas atyre privilegjeve të cilat i gëzojnë të gjitha fetë e Kosovës, për aktivitetet ekonomike të Kishës që janë specifike për vetë qëndrueshmërinë financiare, siç janë, të qëndisurat dhe veshjet fetare, qirinjtë, ngjyrat për ikona, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë, verërat, rakia, mjalti dhe produktet tjera të bletës. Këto privilegje do të përfshijnë, importimin dhe blerjen e produkteve relevante, materialeve, veglave dhe aparateve; dhe eksportimin e produkteve të cilat rezultojnë nga aktivitetet e lartpërmendura.

Neni 3 Siguria për objektet kulturore dhe fetare

3.1 Kishës ortodokse serbe, manastireve dhe kishave të saj, dhe objekteve tjera fetare dhe kulturore të rëndësisë të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do t’i ofrohet siguria e nevojshme.

3.1.1 Përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës, do të bie mbi organet kosovare të zbatimit të ligjit, e në veçanti mbi Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK). Mbrojtja e objekteve kulturore dhe fetare serbe do të jetë detyrë e veçantë operacionale për SHPK-në. Misioni i sundimit të ligjit të MEPSM-së, në konsultim me Praninë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), do ta monitorojë, do të kujdeset dhe do ta këshillojë SHPK-në në realizimin e kësaj detyre.

3.1.2 Në periudhën menjëherë pas Marrëveshjes, PUN do të ofrojë sigurinë për manastirin e Graçanicës, Deviçit, Zoçishtit, Arkangjelit të Shenjtë, Budisavcit, Goriçit, Deçanit, Patrikanën e Pejës dhe monumentit memorial të Gazimestanit. Ofrimi i sigurisë për këto objekte do të vazhdojë edhe deri atëherë kur PUN, pas konsultimeve me PCN-në dhe misionin e MEPSM-së, të vendosë se janë plotësuar kushtet për bartjen e këtyre përgjegjësive tek SHPK-ja.

3.1.3 Për shkallën dhe kohëzgjatjen e masave specifike për ofrimin e sigurisë fizike për këto objekte, nga ana e PUN-së, do të merren parasysh, inter alia, (në mes tjerash) 1. vlerësimi i sigurisë, i kryer nga PUN; 2. këshillat e pranuara nga Këshilli implementues dhe monitorues (KIM), dhe në pajtim me nenin 5 të këtij Aneksi.

3.1.4 KIM do të ketë për qëllim ndërtimin e nivelit më të lartë të besimit dhe besueshmërisë dhe punës drejt normalizimit të gjendjes së sigurisë përreth këtyre objekteve. Kapacitetet e SHPK-së do të zgjerohen sa më shpejtë që është e mundur me qëllim që PUM të ketë mundësi të ç’angazhohet nga këto detyra jo ushtarake.

3.2 Kosova do të garantojë lirinë e lëvizjes për klerin dhe anëtarët e Kishës ortodokse serbe brenda Kosovës dhe sipas nevojës do të ofrojë aranzhime të nevojshme sigurie për këtë lëvizje.

Neni 4 Zonat e mbrojtura

4.1 Një numër i zgjedhur i manastireve të Kishës ortodokse serbe, si dhe kishave, dhe objekteve tjera fetare, si dhe objektet historike dhe kulturore të rëndësisë të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do të gëzojnë mbrojtje të veçantë përmes përcaktimit të “Zonave të mbrojtura”. Objektivat e zonave mbrojtëse janë: të sigurohet një ekzistim dhe funksionim paqësor i objekteve që duhet mbrojtur; të ruhet mjedisi historik, kulturor dhe natyral, duke përfshirë mënyrën e jetës të manastirit dhe klerit; dhe të parandalohet zhvillimet negative përreth tyre, duke siguruar kushtet më të mira të mundshme për zhvillim harmonik dhe të qëndrueshëm të komuniteteve të cilat banojnë në hapësirat përreth këtyre objekteve. Gëzimi i të drejtave pronësore në zonat e mbrojtura mund të kufizohet në mënyrën si në vijim:

4.1.1 Do të ndalohet çdo aktivitet i ri nga fushat si në vijim:

a) Ndërtimi ose zhvillimi industrial, sikur: eksploatimi i resurseve minerale; ndërtimi i centraleve për prodhimin e energjisë ose rrjetit të energjisë elektrike, furrave dhe fabrikave.
b) Ndërtimi ose zhvillimi i objekteve, siç janë: strukturat ose godinat më të gjata se manastiri/kisha/monumenti kulturor nën mbrojtje; përdorimi i materialeve të rrezikshme në çdo ndërtim të ri (duke përfshirë objektet banesore): nëpër rrugë, pompa të benzinës dhe qendra të riparimit të automjeteve; supermarkete; klube nate.

4.1.2 Kur rrethanat e kërkojnë, mund të kufizohet çdo aktivitet nga këto fusha. Para kryerjes së aktiviteteve nga fushat si në vijim, komuna përkatëse duhet të konsultohet me KOS ose me komunitetin serb:

a) Ndërtimet ose zhvillimet komerciale, siç janë: ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i
depove, punëtorive, dyqaneve, restoranteve, lokaleve të natës, kafiterive, kiosqeve dhe shtandeve të ushqimit, dhe çdo ndërtim më i madh nëpër rajonet rurale;
b) Tubimet publike, rekreative dhe zbavitëse;
c) Urbanizimi i tokës bujqësore.

4.1.3 Kosova do të sigurojë që planet hapësinore për rajonet brenda zonave të mbrojtura të jenë në pajtim me kufizimet e përcaktuara në 4.1.1 dhe 4.1.2

4.1.4 Zonat e mbrojtura për lokacionet si në vijim do të përcaktohen me hartat e bashkëngjitura:

Manastiri i Deçanit, Deçan
Patrikana e Pejës
Manastiri i Graçanicës
Kisha e Virgjëreshës, Lipjan
Manastiri i Deviçit, Skenderaj
Manastiri i Gorioçit, Istog
Manastiri i Budisavcit, Klinë
Manastiri i Sokolicës, Zveçan
Manastiri i Draganacit, Gjilan
Manastiri i Arkangjelit të Shenjtë, Prizren
Manastiri i Banjskës, Zveçan
Manastiri i Zoçishtës, Zoqishtë, Rahovec
Fshati Hoqë e Madhe, Rahovec
Manastiri Duboki Poto, Zubin Potok
Kisha e Shën Gjergjit, Gornjasellë, Prizren
Manastiri i Soçanicës, Leposaviq
Kisha e vetmisë, Uljaricë, Klinë
Monumenti memorial i Gazimestanit, Obiliq
Kështjella mesjetare e Zveçanit
Qyteti mesjetar i Novobërdës
Ura mesjetare e Vojnoviqëve, Vushtrri
Vetmia e Petrit të Shenjtë në Korishë, Prizren

4.1.5 Zona e mbrojtur për objektet si në vijim do të përkufizohet në 100 metra hapësirë rreth perimetrit të tyre:

Manastiri i Petkut të Shenjtë, Leposaviq
Manastiri i Shëruesve të Shenjtë, Leposaviq
Manastiri i Virgjëreshës së Shenjtë të Hvosnos, Skenderaj
Manastiri i Markut të Shenjtë, Korishë, Prizren
Manastiri i Treshit të Shenjtë, Mushtisht, Suharekë
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Sredskë, Prizren
Manastiri i Uroshit të Shenjtë, Nerodime, Ferizaj
Manastiri i Binaçit, Buzovik, Viti

4.1.6 Zona e mbrojtur për objektet si në vijim do të përkufizohet në 50 metra hapësirë rreth perimetrit të tyre:

Manastiri i Dollacit, Klinë
Kisha e Shën Nikollës, Gjurakoc, Istog
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë në Hodegetri, Mushtitsht, Suharekë
Kisha e Nikollës së Shenjtë, Shtërpcë
Kisha e Teodorit të Shenjtë, Biti e Poshtme, Shtërpcë
Kisha e Nikollës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë
Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë
Kisha e Shën Gjergjit, Biti e Epërme, Shtërpcë

Kisha e Nikollës së Shentjë, Mushnikovë, Prizren
Kisha e Nikollës së Shentjë, Drajçiq, Prizren
Kisha e Nikollës së Shentjë, Sredskë, Prizren
Kisha e Apostujve të Shenjtë (ose Petkut të Shenjtë), Mushnikovë, Prizren
Kisha e Shën Gjergjit, Serdskë, Prizren

4.1.7 Zona e mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të përcaktohet nga organet komunale të Prizrenit në bashkëpunim me KIM dhe do të përfshijë objektet e Kishës ortodokse, objektet otomane, katolike, të folurën dhe objektet tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore. Objektet kulturore dhe fetare serbe si në vijim, do të përshihen në zonë të mbrojtur: Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë e Levishës; lagja e vjetër “mëhalla Marash” ; Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë; shkolla ortodokse për priftërinj e Kirilit dhe Metodit të Shenjtë; dhe Rezidenca Episkopike me Kishën e Shën Gjergjit.

4.2 Fshati Hoqë e Madhe, do ta ketë të drejtën, që në konsultim me komunën e Rahovecit, të ushtrojë autorizime të kufizuara në aktivitetet nga fusha e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe nga fusha e planifikimit rural në lidhje me zonat e mbrojtura, dhe në pajtim me nenin 5.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/45 për vetëqeverisjen e komunave të Kosovës. Këshilli implementues dhe monitorues (KIM) do t’i mundësojë (lehtësojë) këto konsultime në pajtim me nenin 5.4 të këtij Aneksi.

Neni 5 Këshilli implementues dhe monitorues

5.1 Këshilli implementues dhe monitorues (KIM) do të themelohet, dhe do të thirret rregullisht për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, që ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

5.2 KIM do të kryesohet nga një zyrtar i lartë ndërkombëtare i cili do të caktohet nga Përfaqësuesi civil ndërkombëtar (PCN) i Kosovës.

5.3 Përveç kryesuesit, KIM do t’i ketë shtatë (7) anëtarë tjerë. Përfaqësuesit e institucioneve si në vijim, do të shërbejnë në KIM: Ministria e Kulturës e Kosovës, Institucioni për mbrojtjen e monumenteve në Prishtinë, Kisha ortodokse serbe, Instituti për mbrojtjen e monumenteve në Leposaviq, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, dhe UNESCO.

5.4 KIM, do të:
a) Këshillojë dhe paraqesë rekomandime për PCN-në lidhur me zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë;
b) Mbikëqyrë përcaktimin e kufijve të zonave të mbrojtura në terren dhe zbatimin e tyre;
c) Rekomandon ndryshimet në kufijtë administrativ të zonave të mbrojtura dhe aplikimin e kufizimeve atëherë kur këto arsyetohen nga rrethanat;
d) Ndërmjetësojë zgjidhjen e kontesteve (konflikteve) midis Kishë ortodokse serbe dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Kosovës, në lidhje me zbatimin e dispozitave të këtij Aneksi;
e) Rekomandojë PDN-së masat për korrigjimin e mangësive të mundshme në zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë;
f) Këshillojë organet e Kosovës për zbatimin e ligjit, Praninë ushtarake ndërkombëtare dhe misionin e MEPSM-së lidhur me çështje e sigurisë të cilat ndikojnë në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

5.5 KIM do të mbështetet nga sekretariati i cili do të jetë përgjegjës për monitorimin e përditshëm të zbatimit të këtij Aneksi, dhe do të përbëhet nga personeli ndërkombëtar dhe vendor të cilët i raportojnë drejtpërsëdrejti kryesuesit.

5.6 Autoritetet e Kosovës dhe Serbisë do të pajtohen për mekanizmin e tanishëm të restaurimit të objekteve të Kishës ortodokse serbe, me Komisionin për zbatimin e rindërtimit, ose me pasardhësin e tij.

5.7 KIM do të punojë ngushtë me Komisionin për zbatimin e rindërtimit, ose me pasardhësin e tij, në çështjet e ruajtjes dhe rindërtimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.

Neni 6 Kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike

6.1 Republika e Serbisë brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999.


ANEKSI VI
BORXHI NDËRKOMBËTAR


Neni 1 Dispozitat e Përgjithshme

1.1 Kosova do të merr përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar të Republikës së
Serbisë. Borxhi ndërkombëtar i cili do të ndahet përfshin ndër të tjera, borxhin ndaj Bankës Botërore, dhe kreditorëve të klubit të Parisit dhe klubit të Londrës. Pjesa e Kosovës do të përcaktohet përmes negociatave, në mes Kosovës dhe Republikës së Serbisë duke pasur parasysh parimet e caktimit të borxhit individual në rast të ndarjes nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, në marrëveshje me kreditorët relevantë.

Neni 2 Obligimet e Servisimit të Borxhit

2.1. Përderisa borxhi nuk është përmbushur plotësisht dhe nuk është i rindarë në marrëveshje me kreditorët, Republika e Serbisë në pajtim me përgjegjësitë e veta si huamarrëse/garantuese e pavarur do të sigurojë vazhdimësinë e servisimit të borxhit. Kosova do t’i kompensojë Republikës së Serbisë pjesën e caktuar në mënyrë të rregullt për Kosovën, të borxhit të servisimit të cilin Republika e Serbisë e ka paguar në pritje të kompletimit të procesit të përmbushjes së borxhit.

Neni 3 Arbitrimi

3.1. Nëse, brenda një viti pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova dhe Republika e Serbisë nuk janë pajtuar për përmbushjen dhe caktimin e borxheve, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër ndërkombëtar pas konsultimit me palët, për ndarjen e borxhit ndërkombëtar të Republikës së Serbisë në mes të Republikës së Serbisë dhe Kosovës, në atë pjesë të borxhit ndërkombëtar për të cilin nuk është arritur ujdi nga palët, në marrëveshje me kreditorët relevantë.

3.2. Caktimi i borxhit nga arbitri do të jetë i parevokueshëm dhe do të vendos se cilat borxhe do t’i transferohen Kosovës.



ANEKSI VII
PRONA DHE ARKIVI


Neni 1 Ndërmarrjet Publike

1.1. Të drejtat e pronësisë në ndërmarrjet publike (NP) dhe obligimet e ndërlidhura, duke
përfshirë, por jo kufizuar në, detyrimet para korporatizimit do t’i transferohen Kosovës. Të drejtat e pronësisë dhe obligimet e ndërlidhura të NP-ve të cilat ofrojnë shërbime vetëm në ndonjë komunë specifike apo në numër të kufizuar të komunave, posaçërisht në fushat e ujërave të zeza, ujitjes dhe ngrohjes do t’i transferohen asaj komune ose komunave përkatëse.

1.2. Pavarësisht nga këto të drejta pronësore, organet kompetente të Kosovës marrin masa
të duhura për implementimin e parimeve të Bashkimit Evropian për qeverisjen dhe liberalizimin e korporatave. Masat e theksuara më lart do të përjashtojnë posaçërisht rikthimin e Statusit të NP-ve të inkorporuara si Kompani të pavarura Aksionare dhe strukturave qeverisëse të korporatës të cilat janë implementuar brenda tyre.

Neni 2 Ndërmarrjet Shoqërore

2.1. Administrimi i ndërmarrjeve shoqërore (NSH) dhe aseteve të tyre do të ushtrohet nga institucioni pasardhës i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), e themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 2006/xx e ndryshuar me Rregulloren 2001/12 e ndryshuar.
2.2. Për qëllim të monitorimit, posaçërisht të përputhshmërisë me parime e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ) dhe me legjislacionin përkatës të privatizimit dhe likuidimit të NSH-ve. PCN emëron:

a. Tre (3) anëtarë ndërkombëtarë të bordit të drejtorëve të institucionit pasardhës i AKM-së;
b. Drejtorin e Sekretariatit Ekzekutiv të Bordit të drejtorëve të institucionit pasardhës të AKM-së;
c. Një (1) anëtar nga secili komision i likuidimit.

2.3. Anëtarët ndërkombëtarë të bordit të drejtorëve kanë kompetenca, që në veprim të përbashkët dhe unanimisht, të pezullojnë vendimin e institucionit pasardhës të AKM-së nëse ata gjejnë se një vendim i tillë është në kundërshtim me parimet e KEDNJ-së Protokolleve të saj dhe ligjit të aplikueshëm, dhe të referojnë çështjen në Dhomën e Posaçme pranë Gjykatës Supreme për të marrë vendim. Dhoma e Posaçme për raste të tilla vendosë me nguti.

2.4. Pagesa e secilit individ nga mjetet e privatizimit dhe likuidimit të grumbulluara në Fonde trusti, kërkon pajtimin e anëtarëve ndërkombëtarë të bordit të drejtorëve, të cilët veprojnë bashkërisht dhe unanimisht, përveç nëse Dhoma e Posaçme tashmë ka lëshuar vendim për pagesat që duhet bërë.

2.5 Dy donatorët më të mëdhenj ndërkombëtarë të institucionit pasardhës të AKM-së kanë të drejtë të marrin pjesë në takimet e bordit të drejtorëve të institucionit pasardhës të AKM-së në cilësinë e vëzhguesve.

Neni 3 Procesi i Shqyrtimit të Kërkesave në AKM

3.1. Caktimi përfundimtarë i pronësisë dhe shqyrtimi i kërkesave do të vazhdoj të bëhet nga Dhoma e Posaçme në Gjykatën Supreme e themeluar për këtë qëllim me Rregulloren e UNMIK-ut 2003/13.

3.2. Do të jenë pesë kolegje të specializuara në Dhomën e Posaçme, për të shqyrtuar fushat e kompetencave si në vijim: (i) kërkesat mbi privatizimin; (ii) kërkesat mbi listat e punëtorëve; (iii) kërkesat mbi pronësinë e përgjithshme dhe kreditorë; (iv) kërkesat mbi likuidimin; (v) kërkesat e riorganizimit të ndërmarrjes. Secili kolegj i specializuar përbëhet nga dy (2) gjyqtarë ndërkombëtar dhe një gjyqtar kosovar.

3.3. Pranë Dhomës së Posaçme do të ekzistojë kolegji i apelit për shqyrtimin e vendimeve të Dhomës së Posaçme. Kolegji i apelit përbëhet nga tre (3) gjyqtarë tjerë ndërkombëtarë dhe dy (2) gjyqtarë kosovar.

Neni 4 Agjencioni Kosovar i Pronës (AKP)

4.1. Rregullorja e UNMIK-ut 2006/10, e ndryshuar me Rregulloren e UNMIK-ut 2006/50 për Shqyrtimin e Kërkesave të Pronës së Paluajtshme Private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe komerciale, vazhdon të jetë në fuqi dhe zbatohet në përputhshmëri me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje. Shqyrtimi i rasteve pronësore do të finalizohet deri më 31 dhjetor 2007, me vështrim në kompletimin e implementimit të vendimeve jo më vonë se 31 dhjetor 2008.


4.2. Postet në vijim do të plotësohen nga përfaqësuesit ndërkombëtarë sipas emërimit nga PCN:

a: Tre (3) anëtarë ndërkombëtarë të Bordit Mbikëqyrës, përfshirë edhe kryesuesin e tij;
b: Drejtori i Sekretariatit Ekzekutiv;
c: Dy (2) anëtarë ndërkombëtarë të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave, përfshirë edhe kryesuesin e tij;
d: Dy (2) gjyqtarë ndërkombëtar, në përputhshmëri me nenin 5 të këtij aneksi

Neni 5 Procesi i Shqyrtimit të Ankesave në AKP

5.1. Ankesat kundër vendimeve të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave të AKP-së vendosen nga kolegjet prej tre gjyqtarëve në Gjykatën Supreme të përbëra prej dy (2) gjyqtarëve ndërkombëtar dhe një (1) gjyqtari vendor.

5.2. Kosova implementon masa shtesë, në konsultim me PCN-në, për të siguruar që procesi i shqyrtimit për kthimin/kompensimin e kërkesave pronësore është efikas dhe vendimet zbatohen në mënyrë efektive.

Neni 6 Kthimi i pronës

6.1. Kosova gjithashtu adreson çështjet e kthimit të pronës, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe, si çështje me prioritet. Kosova do të themeloj mekanizma të pavarur për formulimin e politikave, kornizave legjislative dhe institucionale për adresimin e çështjeve të kthimit të pronës. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar ftohen për të marrë pjesë në mekanizma të tillë, të cilët përfshijnë përfaqësues të komuniteteve joshumicë.

Neni 7 Arkivi

7.1. Arkivi, duke përfshirë regjistrat kadastral dhe dokumentet e lidhura me Kosovën dhe banorët e saj të cilat janë zhvendosur nga Kosova, do të kthehen në Kosovë. Pjesët e Arkivit Shtetëror të Republikës së Serbisë, të nevojshme për administrim normal të Kosovës do të transferohen në Kosovë sipas parimit të rëndësisë funksionale, pavarësisht se ku ka qenë apo është i vendosur arkivi.

7.2. Republika e Serbisë do të kthej apo transferoj të gjithë arkivat brenda gjashtë muajve të hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Derisa arkivi të jetë kthyer apo transferuar, Republika e Serbisë do të lejojë qasje të lirë, të papenguar dhe efektive në to.



ANEKSI VIII
SEKTORI I SIGURISË NË KOSOVË



Neni 1 Siguria në Kosovë

1.1. Përveç aty ku është specifikuar në këtë Marrëveshje, Kosova do të ketë kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj.

1.2. Institucionet e sigurisë në Kosovë do të operojnë në përputhshmëri me standardet demokratike dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të saj, ashtu siç është paraparë në aneksin II.

1.3. Kosova do të themelojë një komision parlamentar për mbikëqyrje të sektorit të sigurisë në përputhshmëri me këtë Marrëveshje.

1.4. Kosova do të themelojë Këshillin e Sigurisë të Kosovës (KSK), i cili i raporton kryeministrit. KSK zhvillon strategjinë e sigurisë në përputhshmëri me këtë Marrëveshje. Kosova do të hartoj kornizë legjislative mbi komponentët e sektorit të sigurisë në përputhshmëri me këtë Marrëveshje, me dispozita të duhura buxhetore dhe të mbikëqyrjes.

1.5. Në ato fusha të sektorit të sigurisë ku vazhdohet përfshirja ndërkombëtare në përputhshmëri me këtë Marrëveshje, Kosova, në bashkëpunim me PCN-në dhe PUN-në me kohë do të zhvillojë strategji për transferim të plotë të përgjegjësisë te autoritetet kosovare.

1.6. Procesi i zhvillimit të sektorit të sigurisë në Kosovë do të jetë plotësisht transparent ndaj fqinjëve të Kosovës, dhe Kosova do të themelojë masa të duhura të ndërlidhjes dhe ndërtimit të besimit me fqinjët e saj rajonal.

1.7. Kosova do të përmbushë standardet e OKB-së, OSBE-së dhe BE-së dhe praktikat në terren të sigurisë dhe kontrollit të armëve, si dhe marrëveshjet tjera rajonale dhe deklaratat nën fushëveprimin e OSBE-së.

Neni 2 Policia


2.1. Një zinxhir i unifikuar i komandës së shërbimeve policore do të ruhet në gjithë Kosovën.

2.2. Kufijtë e stacioneve policore rajonale do të jenë të njëjta me kufijtë komunal.

2.3. Përbërja etnike e policisë brenda komunës deri në masën e mundshme do të reflektoj përbërjen etnike të popullatës në komunë.

2.4 Këshillat e përbërë nga përfaqësuesit komunal dhe të policisë duke përfshirë edhe komandantët e stacioneve do të bëhen plotësisht funksional në mënyrë që të lehtësojnë bashkëpunimin në mes të Shërbimit Policor dhe autoriteteve komunale/udhëheqësve lokal të komunitetit. Këshillat udhëhiqen nga kryetarët e komunave.

2.5. Komandantët e stacioneve lokale informohen paraprakisht për operacionet nga forcat policore qendrore apo speciale brenda perimetrit të stacioneve policore lokale përveç nëse kërkesat operacionale kërkojnë ndryshe.

2.6. Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, komandantët e stacioneve lokale zgjedhën sipas procedurës në vijim: Kuvendi komunal propozon së paku dy emra për komandant stacioni të cilët i përmbushin kërkesat minimale të profesionit ashtu siç është paraparë në legjislacionin e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme mund të emëroj një kandidat nga kjo listë brenda 15 ditëve të pranimit të listës. Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk pranohen nga ministria, Kuvendi Komunal do të sigurojë listën e dytë me së paku dy kandidatë të ndryshëm për shqyrtim nga ministria, të cilët janë nga radhët ekzistuese të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të cilët përmbushin të gjitha kërkesat minimale të profesionit ashtu siç kërkohet nga legjislacioni i Kosovës. Ministria pastaj obligohet që të emëroj një kandidat nga lista e dytë brenda 15 ditëve të pranimit të saj.

Neni 3 Kufiri

3.1. Kosova në koordinim me PCN-në dhe PUN-në zhvillon një strategji për mundësimin e dorëzimit e përgjegjësive, me faza, për kontroll të kufijve dhe udhëheqjes së tyre të asociuar dhe integruar në Shërbimin Policor të Kosovës.

3.2. Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative të Maqedonisë më 23 shkurt 2001.

3.3. Kosova do të angazhohet me Republikën Jugosllave të Maqedonisë për themelimin e një komisioni të përbashkët teknik brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, për të shënuar vijën fizike të kufirit dhe për adresimin e çështjeve tjera që dalin nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2001 në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Puna e komisionit teknik do të përfundojë brenda një viti nga data e themelimit të saj. PCN dhe PUN do të përfaqësohen në këtë komision për të lehtësuar diskutimet në mes të dy palëve, ata mund të marrin pjesë në procesin e demarkacionit të kufirit me kërkesë të secilës palë.

Neni 4 Shërbimet e Inteligjencës

4.1. Kosova do të themeloj një agjencion vendor të sigurisë për të monitoruar kërcënimet ndaj sigurisë së brendshme në Kosovë, në përputhshmëri me aneksin IX. Ky agjencion do të jetë profesional, apolitik, shumetnik dhe nën mbikëqyrje të Parlamentit dhe administratës civile.

Neni 5 Forca e Sigurisë e Kosovës

5.1 Në Kosovë do të themelohet një Forcë e Sigurisë (FSK), e cila do të jetë profesionale dhe shumetnike. Ajo nuk do të krijojë një barrë të panevojshme financiare për burimet e Kosovës. Qeveria do të themeloj një organizatë civile për të siguruar një kontroll civil mbi FSK-në, në përputhshmëri me anekset IX dhe XI.

5.2. FSK do të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të posedojë armë të rënda si, tanke, artileri të rëndë apo kapacitet ajror ofanziv. FSK do të përbëhet prej më tepër se 2500 pjesëtarëve aktiv dhe 800 pjesëtarëve rezervë.

5.3 Ndryshimet ndaj kufizimeve të përcaktuara në nenin 5.2 të këtij aneksi do të përcaktohen nga PUN, në koordinim me PCN-në. Një vlerësim i plotë i këtyre kufizimeve do të bëhet jo më herët se 5 vite nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.

5.4. Fillimisht, FSK do të jetë kryesisht përgjegjëse për përgjigjen ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive dhe mbrojtjen civile. Pastaj FSK do të dizajnohet dhe përgatitet për përmbushjen e funksioneve tjera të sigurisë, të cilat nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit. PUN në koordinim me PCN-në do të themelojnë një proces të standardizuar të monitorimit me qëllim të përcaktimit se kur do të autorizojnë FSK-në për angazhim në këto funksione të sigurisë.

5.5. Pjesëtarët e FSK-së do të rekrutohen nga e gjithë shoqëria. Një procedurë formale e përzgjedhjes do të zhvillohet nga Kosova së bashku me PUN-në. Rekrutimi do të filloj menjëherë pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje në mënyrë që të sigurohen aftësitë fillestare brenda një viti të hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.

5.6. Pajisja e FSK-së do të jetë një përpjekje e përbashkët në mes të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, pasi të jenë siguruar fondet dhe burimet. Kosova do të bëjë të njohura për PUN-në të gjitha burimet dhe fondet dhe pajisjet e siguruara për FSK-në nga jashtë.

Neni 6 Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK)

6.1. TMK-ja do të shpërbëhet. PUN, në konsultim me PCN-në dhe Kosovën, do të ushtrojë mbikëqyrje ekzekutive të TMK-së, dhe do të vendosë rreth kohës së shpërbërjes së saj. Shpërbërja do të bëhet brenda një viti të hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Procesi i demobilizimit dhe i ri-integrimit do të zhvillohet nga bashkësia ndërkombëtare për këta pjesëtarë të TMK-së.

Neni 7 Kontrolli i hapësirës ajrore

7.1. Kosova do të ketë pronësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për hapësirën e saj ajrore. Do të themeloj Autoritetin Civil të Aviacionit (ACA) për të rregulluar veprimtaritë e Aviacionit Civil në Kosovë, dhe PUN do të ketë të drejtë të rivendosë kontroll ushtarak ndaj hapësirës ajrore, ashtu siç është paraparë në nenin 2 të aneksit XI.
ACA gjithashtu do të caktoj një kompani për shërbimet e navigacionit ajror.

ANEKSI IX
PËRFAQËSUESI CIVIL NDËRKOMBËTAR


Neni 1 Objektivat

1.1 Kosova do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e çështjeve të veta, bazuar në parimet
demokratike të sundimit të ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe mbrojtjen e promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të saj. Duke kuptuar se për përmbushjen e përgjegjësive që i janë caktuar Kosovës sipas kësaj marrëveshjeje lipset të zhvillohen një varg veprimtarish të ndërlikuara dhe të rënda, një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar (PCN) do ta mbikëqyrë zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe do t’i mbështesë përpjekjet relevante të autoriteteve të Kosovës.

Neni 2 Mandati dhe autoriteti i përfaqësuesit civil ndërkombëtar

2.1 Sa i përket mbikëqyrjes së përgjithshme të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, PCN-ja:

a. do të jetë autoriteti final në Kosovë sa i përket interpretimit të aspekteve civile të kësaj marrëveshjeje;
b. do ta sigurojë zbatimin efektiv të kësaj marrëveshjeje nëpërmjet kryerjes së detyrave specifike që i janë caktuar PCN-së në pjesët e tjera të kësaj marrëveshjeje;
c. do të ndërmarrë masa korrigjuese për ta përmirësuar, nëse ka nevojë, çdo veprim që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës, që PCN-ja konsideron se përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje, se e rrezikon seriozisht sundimin e ligjit apo se, në ndonjë mënyrë tjetër, bie ndesh me kushtet dhe frymën e kësaj marrëveshje. Masat e tilla korrigjuese mund të përfshijnë, por nuk kufizohen me anulimin e ligjeve apo vendimeve që miratohen nga autoritetet e Kosovës;
d. në rastet e dështimeve serioze apo të vazhdueshme në vënien në jetë të thelbit apo frymës së kësaj marrëveshjeje dhe/apo në rast të pengesave serioze në punën e PCN-së dhe/ose MEPSM-së, PCN-ja do ta ketë autoritetin ta sanksionojë apo largojë nga detyra çdo zyrtar publik apo të ndërmarrë masa të tjera, sipas nevojës, për ta siguruar respektimin e plotë të kësaj marrëveshjeje;
e. do ta monitorojë, nëpërmjet zyrës së tij/të saj apo nëpërmjet krijimit të mekanizmave të duhur raportues nga akterët dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që mund të jenë të pranishme në Kosovë, implementimin e të gjitha aspekteve civile të kësaj marrëveshjeje.

2.2 Krahas autoritetit të tij/të saj për të emëruar, siç është përcaktuar në pjesët e tjera të
kësaj marrëveshjeje, PCN-ja do ta ketë autoritetin e emërimit të drejtpërdrejtë apo dhënies së pëlqimit për emërimin e posteve si vijon:

a. Auditori i Përgjithshëm do të jetë ndërkombëtar që do të emërohet nga PCN-ja.
b. Pas skadimit të mandatit të anëtarëve ndërkombëtarë të tanishëm të Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPT), PCN-ja do ta emërojë një përfaqësues ndërkombëtar si anëtar të Bordit të Drejtorëve të TKPT-së.
c. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë do të përzgjidhen nga MEPSM-ja, për emërimin e të cilëve do të lipset, para emërimit të tyre, pëlqimi i PCN-së;
d. Drejtori Gjeneral i Shërbimit të Doganës, Drejtori i Administratës Tatimore, Drejtori i Thesarit dhe Drejtori Menaxhues i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK) do të emërohen nga autoritetet kompetente për emërim, pas marrjes së pëlqimit nga PCN-ja;
e. Gjatë ushtrimit të autoritetit të tij/të saj për emërime, PCN-ja do t’i marrë parasysh kualifikimet profesionale të kandidatëve, reputacionin e integritetit të tyre dhe do ta përcjellë zbatimin rigoroz dhe të paanshëm të ligjit.

2.3 Pushteti dhe kompetencat e PCN-së dhe pushteti dhe kompetencat e PSBE-së do t’i mvishen të njëjtit person. PSBE-ja do t’i ketë këto kompetence ne sferën e sundimit të ligjit, përfshirë, në veçanti, gjyqësorin, policinë, doganën dhe shërbimet korrektuese, të cilat do të ushtrohen në emër të tij/të saj nga MEPSM-ja, siç parashihet me nenin 12 të kësaj marrëveshjeje, nëpërmjet modaliteteve që do të përcaktohen nga Këshilli i BE-së në përputhje me këtë marrëveshje, PSBE-ja do t’i ketë kompetencat si vijon:

a. Autoritetin që të sigurojë zhvillimin e hetimeve të duhura ndaj rasteve të krimeve të luftës, terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ndëretnike, krimeve ekonomike/financiare dhe krimeve të tjera serioze sipas ligjit, përfshirë, kur konsiderohet me vend, nga ana e hetuesve ndërkombëtarë që do të veprojnë së bashku me autoritetet e Kosovës apo në mënyrë të pavarur;
b. Autoritetin që të sigurojë që ndaj rasteve që janë përshkruar në nenin 2.3a të këtij aneksi të ndërmerren masa të duhura të ndjekjes penale përfshirë, kur ka nevojë, nga ana e prokurorëve ndërkombëtarë që do të veprojnë së bashku me prokurorët e Kosovës apo në mënyrë të pavarur. Përzgjedhja e rasteve për aktvendime do të bazohet në kriteret objektive dhe masat mbrojtëse procedurale, si të përcaktohen nga Kryesuesi i MEPSM-së. Prokurorët ndërkombëtarë do të veprojnë sipas legjislacionit të Kosovës;
c. Autoritetin për të siguruar që rastet e përshkruara në nenin 2.3a të këtij aneksi dhe rastet civile që kanë të bëjnë me pronësinë të gjykohen si duhet, përfshirë, nëse ka nevojë, nga ana e gjyqtarëve ndërkombëtarë që do të punojnë në mënyrë të pavarur apo në panele me gjyqtarë të Kosovës në gjykatën përkatëse që ka juridiksion mbi rastin e dhënë. Përzgjedhja e rasteve për gjykim ku përfshihen gjyqtarë ndërkombëtarë do të bazohet në kriteret objektive dhe masat mbrojtëse procedurale, si të përcaktohen nga Kryesuesi i MEPSM-së. Gjyqtarët ndërkombëtarë do ta gëzojnë pavarësinë e plotë në kryerjen e detyrave të tyre gjyqësore dhe do të shërbejnë në sistemin gjyqësor të Kosovës sipas ligjit;
d. Përgjegjësinë për të siguruar që vendimet që merren mbi rastet që janë përshkruar në nenin 2.3a të këtij aneksi të zbatohen si duhet dhe sipas ligjit nga autoritetet kompetente të Kosovës;
e. Autoritetin për të marrë përgjegjësi të tjera në mënyrë të pavarur apo nën mbështetjen e autoriteteve kompetente të Kosovës, për ta garantuar ruajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendin publik dhe sigurinë;
f. Në konsultim me PCN-në, autoritetin për t’i kthyer për rishqyrtim apo anuluar vendimet operative që merren nga autoritetet kompetente të Kosovës, sipas nevojës, për ta garantuar ruajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendin publik dhe sigurinë;
g. Autoritetin për të mbikëqyrur, për të drejtuar dhe për të ofruar këshilla në të gjitha sferat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Autoritetet e Kosovës duhet t’i lehtësojnë përpjekjet e tilla dhe të ofrojnë qasje të menjëhershme dhe të plotë tek çdo vend, individ, veprimtari, procedim, dokument, apo çështje a ngjarje tjetër në Kosovë;
h. Autoritetin për ta siguruar zbatimin e efektshëm të kësaj marrëveshjeje përmes kryerjes së detyrave që i janë caktuar PSBE-së në pjesët e tjera të kësaj marrëveshjeje;
i. Autoritetin për t’i emëruar anëtarët e personelit të MEPSM-së për t’i kryer detyrat që i janë caktuar MEPSM-së.

2.4 PCN-ja do ta mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve civile të Kosovës, përfshirë kontrollin civil mbi institucionet e saja të sigurisë, pa paragjykuar përgjegjësitë e NATO-s dhe të PUN-së në zhvillimin e FSK-së dhe mbikëqyrjen e saj civile, siç parashihet me nenin 13.5 të kësaj marrëveshjeje.
2.5 PCN-ja do ta mbikëqyrë zhvillimin e Agjencisë Vendore të Sigurisë, siç është specifikuar në aneksin VIII të kësaj marrëveshjeje.
2.6 PCN-ja do ta ketë autoritetin e krijimit të një mekanizimi për rishikimin e kompetencave të tij/të saj dhe të PSBE-së, pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet që i gëzon PCN-ja dhe PSBE-ja sipas kësaj marrëveshjeje.

Neni 3 Koordinimi me akterët ndërkombëtarë

3.1 Për ta siguruar koherencën dhe efektivitetin në angazhimin ndërkombëtar në Kosovë, PCN-ja do t’i themelojë mekanizmat e duhur për koordinimin e aktiviteteve të të gjithë akterëve ndërkombëtarë. Këta akterë do t’i mbështesin përpjekjet e tilla duke ia ofruar PCN-së informatat relevante për ushtrimin e funksioneve të tij/të saja.
3.2 Nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-ja) kërkohet që edhe më tutje ta zhvillojë misionin e saj në Kosovë, përfshirë një prani gjithëpërfshirëse në terren, në mënyrë që ta mbështesë zhvillimin demokratik të Kosovës dhe punën e PCN-së dhe të zyrës së tij/të saj. Aranzhime të veçanta për një mbështetje të tillë nga OSBE-ja do të përcaktohen midis OSBE-së dhe PCN-së.
3.3 Në përputhje me rolin e tij/të saj të koordinimit të përgjithshëm përkitazi me mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, PCN-ja do ta kryesojë një Komitet për Koordinim që do të përbëhet nga Kryesuesi i Pranisë Ushtarake Ndërkombëtare, Kryesuesin i MEPSM-së, Kryesuesi e Misionit të OSBE-së dhe, nëse ky komision konsideron se është me vend, përfaqësues të organizatave të tjera që do të t’i kontribuojnë zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 4 Struktura/angazhimi i stafit në Zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar

4.1 PCN-ja do të emërohet nga një Grup Drejtues Ndërkombëtar pas konsultimeve me BE-në. GDN-ja do ta kërkojë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë emërim. Në GDN do të marrin pjesë: Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe NATO-ja.
4.2 PCN-ja do t’i raportojë drejtpërdrejtë Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe do t’i kryesojë takimet e tij. Grupi Drejtues Ndërkombëtar do t’i ofrojë udhëzime PCN-së.
4.3 PCN-së do t’i ofrohet mbështetje nga stafi (Zyra Civile Ndërkombëtare (ZCN-ja), si ta konsiderojë të nevojshme, për t’i ndihmuar në kryerjen e funksioneve që janë paraparë me këtë marrëveshje.
4.4 PCN-ja ka të drejtë të themelojë çfarëdo pranie në terren që ai/ajo e konsideron të nevojshme për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje. PCN-ja do ta themelojë një zyrë në terren në Mitrovicë, e cila do të përqendrohet, në veçanti, në sferat e sigurisë/sundimit të ligjit, të lirisë së lëvizjes/kthimit, të drejtave pronësore/strehimit dhe të zhvillimit ekonomik.
4.5 Sipas ligjeve të Kosovës, PCN-ja, edhe në cilësinë e tij/të saj si PSBE, do ta gëzojë, sido që të jetë e nevojshme, kapacitetin ligjor për ushtrimin e plotë të funksioneve të tij/të saj, siç parashihet me këtë marrëveshje.
4.6 PCN-së, edhe në cilësinë e tij/të saj si PSBE, do t’i caktohen privilegjet dhe imunitetet sa vijon:
a. Kosova do t’ia ofrojë PCN-së dhe PSBE-së dhe objekteve të tij/të saj, arkivave dhe pronave të tjera, privilegjet dhe imunitetet e njëjta që i gëzon një mision diplomatik dhe objektet e tij, arkivat dhe pronat e tjera, sipas Konventës së Gjenevës për Marrëdhëniet Diplomatike.
b. Kosova do t’ia ofrojë PCN-së, PSBE-së dhe anëtarëve profesionalë të stafit të tij/të saj, si dhe familjeve të tyre, privilegjet dhe imunitetet e njëjta që i gëzojnë agjentët diplomatikë dhe familjet e tyre sipas Konventës së Gjenevës për Marrëdhëniet Diplomatike.
c. Kosova do t’ua ofrojë anëtarëve të tjerë të stafit të zyrave të PCN-së dhe PSBE-së dhe familjeve të tyre privilegjet dhe imunitetet e njëjta që i gëzojnë anëtarët e stafit administrativ dhe teknik dhe familjet e tyre sipas Konventës së Gjenevës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Neni 5 Zvogëlimi dhe skadimi i mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar

5.1 Bazuar në rekomandimet e PCN-së, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do t’i përcaktojë standardet për shqyrtimin periodik të mandatit të PCN-së dhe do ta zhvillojë një shqyrtim të plotë të kompetencave të PCN-së jo më vonë se dy vjet pas hyrjes së fuqi të kësaj marrëveshjeje, duke synuar ngushtimin gradual të fushëveprimit të kompetencave të PCN-së dhe shpeshtësisë së intervenimeve të tij/të saj.
5.2 Mandati i PCN-së do të skadojë atëherë kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar të konstatojë se Kosova i ka përmbushur kushtet e kësaj marrëveshjeje.

Neni 6 Bashkëpunimi

6.1 Autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë plotësisht me PCN-në, edhe në cilësinë e tij/të saj si PSBE, dhe me organizatat dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të të gjitha aspekteve të kësaj marrëveshjeje. Mosbashkëpunimi nga ana e autoriteteve të Kosovës do të përbëjë shkelje të kushteve të kësaj marrëveshjeje, siç parashihet me nenin 2.1 të këtij aneksi.
6.2 Autoritetet e Kosovës duhet ta mundësojnë asistencën e nevojshme për PCN-në, në cilësinë e tij/të saj si PSBE, me qëllim të realizimit të suksesshëm të detyrave të tij/të saj, përfshirë, sipas nevojës, ofrimin e mbështetjes logjistike dhe administrative.

SHTOJCA X
MISIONI EVROPIAN PËR POLITIKA TË SIGURISË DHE MBROJTJES


Neni 1 Mandati dhe kompetencat

1.1 MEPSM-ja, nën udhëheqjen e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (PSBE-së) do t’i ushtrojë kompetencat e PSBE-së, siç është përcaktuar në nenin 2.3 të aneksit IX të kësaj marrëveshjeje.
1.2 Kryesuesi i MEPSM-së do ta marrë përsipër menaxhimin e operacioneve të përditshme të misionit.
1.3 MEPSM-së dhe personelit të tij do t’i ofrohen privilegjet dhe imunitetet e njëjta me ato që janë paraparë me nenin 4.6 të aneksit IX të kësaj marrëveshjeje.

Neni 2 Struktura

2.1 Kryesuesi i MEPSM-së do të caktohet nga Këshilli i Unionit Evropian.
2.2 Kryesuesi i MEPSM-së mund të themelojë çfarëdo pranie që ai/ajo e konsideron të nevojshme, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, për sigurimin e jetësimit të plotë të elementeve të sundimit të ligjit që parashihen me këtë marrëveshjeje.
2.3 MEPSM-ja do ta ketë një zinxhir të unifikuar komandues.

Neni 3 Bashkëpunimi

3.1 Kosova do t’ia ofrojë MEPSM-së tërë ndihmën e nevojshme për realizimin efikas dhe të efektshëm të detyrave të tij, përfshirë, sipas nevojës, ofrimin e mbështetjes logjistike dhe administrative.


ANEKSI XI
PRANIA USHTARAKE NDËRKOMBËTARE


Neni 1 Objektivat

1.1 Prania ushtarake ndërkombëtare (PUN-ja) do të jetë përgjegjëse për:

a. Ofrimin e sigurimit nga rreziqet e jashtme për Kosovën, derisa institucionet e Kosovës të mund ta marrin përgjegjësinë;
b. Ofrimin a një mjedisi të sigurt dhe të siguruar gjithandej territorit të Kosovës, në ndërlidhje me PCN-në dhe nën mbështetjen e institucioneve të Kosovës, deri më atë kohë kur institucionet e Kosovës të mund ta marrin përgjegjësinë, nga rasti në rast, për detyrat e sigurisë që kryhen nga PUN-ja;
c. Mbikëqyrjen dhe mbështetjen, me ndihmën e të tjerëve, e themelimit dhe trajnimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK-së). Kjo do të përfshinte vlerësimin e së kaluarës së pjesëtarëve të saj për ta siguruar profesionalizimin; përpjekjet për ta siguruar përfaqësimin e duhur etnik dhe të drejtën e shqiptimit të sanksioneve për sjelljet e papërshtatshme të pjesëtarëve të FSK-së, në koordinim me PCN-në;
d. Verifikimin e përputhshmërisë me aspektet ushtarake të sigurisë të parapara me këtë marrëveshje;
e. Mbështetjen dhe koordinimin e afërt të aktiviteteve me PCN-në, si dhe ofrimin e këshillave ushtarake PCN-së;
f. Ofrimin e ndihmës dhe këshillave përkitazi me procesin e integrimit në strukturat euroatlantike.

1.2 Në suaza të mjeteve dhe aftësive dhe derisa detyrat të mund t’u lihen të tjerëve në kuadër të programeve për të cilat duhen rënë dakord, PUN-ja do t’u ofrojë ndihmë autoriteteve lokale dhe PCN-së në sa vijon:
a. Reagimin ndaj ekstremistëve të dhunshëm;
b. Sigurimin e lirisë së lëvizjes;
c. Mundësimin e kthimit të refugjatëve
d. Konfiskimin, shkatërrimin e armëve pa autorizim ndërmarrjen e masave mbrojtëse në këtë drejtim;
e. Mbrojtjen e lokacioneve të caktuara fetare dhe kulturore;
f. Zhvillimin e detyrave të monitorimit të kufijve sipas kërkesës dhe,
g. Ofrimin e mbështetjes, nga rasti në rast, Bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave civile për implementim, në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse.

1.3 PUN-ja do ta mbështesë zhvillimin e strukturave dhe ekspertizës në Kosovë për sigurimin e kontrollit efektiv civil dhe menaxhimin e FSK-së, në veçanti në sferat e zhvillimit strategjik, planifikimit të forcës, menaxhimit të personelit, planifikimit, programimit dhe buxhetimit (PPB-së) dhe ushtrimit të planifikimit dhe prokurimit, në pajtim me nenin 2.4 të aneksit IX të kësaj marrëveshjeje.
1.4 PUN-ja do ta mbikëqyrë dhe monitorojë FSK-në dhe do të ketë autoritet ekzekutiv mbi të, derisa PUN-ja, në koordinim me PCN-në, të konstatojë se kjo forcë është e vetëqendrueshme dhe e aftë t’i kryejë detyrat që i janë caktuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.
1.5 PUN-ja do të vazhdojë t’i zbatojë praktikat e vëna në funksion të Komisionit të tanishëm të Përbashkët për Implementim me Republikën e Serbisë. Me kalimin e kohës, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhet pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështjet ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët.
1.6 PUN-ja, në koordinim me PCN-në, do t’i përcaktojë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë.
1.7 Në planin më afatgjatë, PUN-ja do të mbetet e angazhuar me FSK-në për të ofruar këshilla, nëpërmjet të cilave do të synohet integrimi i mëtejmë në strukturat euroatlantike të sigurisë dhe përfshirja e elementeve nga kjo forcë e sigurisë në misione me mandat të përcaktuar ndërkombëtarisht.
1.8 PUN-ja do t’i zhvillojë operacionet e saja nën autoritetin e Këshillit Veriatlantik dhe do t’i nënshtrohet drejtimit dhe kontrollit politik të tij, nëpërmjet zinxhirit komandues të NATO-s. PUN-ja do ta ketë një zinxhir komandues të unifikuar.

Neni 2 Pushteti dhe kompetencat

2.1 Në përmbushjen e përgjegjësive të PUN-së, kryesuesi i PUN-së do ta ketë autoritetin, pa iu nënshtruar ndërhyrjeve apo marrjes leje, që të bëjë çfarëdo që ai/ajo e konsideron të nevojshme apo të duhur, përfshirë përdorimin e forcës ushtarake, për ta mbrojtur PUN-në dhe personelin tjetër të caktuar dhe për t’i përmbushur përgjegjësitë e saja. Kryesuesi i PUN-së është autoriteti final në këtë sferë sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes që i referohen PUN-së.
2.2 PUN-ja do t’i ketë kompetencat si vijon:
a. Të drejtën për t’i përmbushur përgjegjësitë e saja ashtu si e konsideron me vend, përfshirë përdorimin e të forcës së nevojshme kurdo që kërkohet dhe pa iu nënshtruar ndonjë sanksionimi, ndërhyrjeje apo nevoje për të marrë leje nga dikush tjetër;
b. Të drejtën për të ushtruar liri të plotë dhe të papenguar të lëvizjes në tërë territorin e Kosovës, me çdo kusht;
c. Të drejtën për ta rivënë kontrollin e menjëhershëm dhe të plotë mbi hapësirën ajrore (apo pjesëve të saja), nëse kërkesat ushtarake e diktojnë këtë. Kryesuesi i PUN-së duhet të sigurohet që Autoriteti i Aviacionit i Kosovës të informohet në tërësi për ndonjë vendim të tillë;
d. Të drejtën për të zhvilluar hetime në objektet dhe shërbimet që ndërlidhen me përmbushjen e detyrave të saja;
e. Të drejtën për ta aprovuar dhe mbikëqyrur, në koordinim me PCN-në, themelimin e të gjitha forcave jopolicore dhe atyre që lidhen me sigurinë që propozohen nga Kosova.
f. Të drejtën për të ndërmarrë veprime që i konsideron të duhura për ta mbështetur mandatin e saj në përputhje me këtë marrëveshje.

2.3 Kosova do t’ia ofrojë PUN-së statusin, privilegjet dhe imunitetet që tash i janë ofruar KFOR-it sipas Rregullores 2000/47 të UNMIK-ut.
2.4 Në të gjitha rastet, autoritetet e PUN-së do të mbahen nën shqyrtim dhe, pas konsultimeve me palët relevante dhe vendimit të Këshillit Veriatlantik, do të mbarështohet si duhet, nga rasti në rast, përderisa institucionet e Kosovës t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre dhe t’i shtojnë kompetencat dhe përgjegjësitë.

ANEKSI XII
AGJENDA LEGJISLATIVE


Neni 1 Legjislacioni që duhet të miratohet gjatë periudhës së tranzicionit


Kuvendi i Kosovës duhet t’i miratojë zyrtarisht ligjet e nevojshme për implementimin e kushteve të kësaj marrëveshjeje gjatë periudhës së tranzicionit prej 120 ditëve, të cilat duhet të konsiderohen si të miratuara nga Kuvendi dhe do të vihen në zbatim menjëherë ditën e parë pas përfundimit të periudhës së tranzicionit. Legjislacioni i tillë duhet të përfshijë, por jo edhe të kufizohet me ligjet si vijon:
1.1 Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale;
1.2 Ligjin për vetëqeverisjen lokale;
1.3 Ligjin për kufijtë komunalë;
1.4 Ligjin për themelimin e zonave të mbrojtura;
1.5 Rregullat e punës, apo amendamentet e nevojshme të saj, që konsiderohen të nevojshme për përmbushjen e kushteve të kësaj marrëveshjeje me përfundimin e periudhës së tranzicionit, përfshirë, në veçanti, rregullat e punës që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Neni 2 Legjislacioni që duhet të miratohet gjatë periudhës së tranzicionit dhe pas saj

Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë zyrtarisht ligjet të tjera gjatë periudhës së tranzicionit për t’i përmbushur kushtet e kësaj marrëveshjeje, të cilët, nëse aprovohen, do të konsiderohen si të miratuara nga Kuvendi dhe do të vihen në zbatim menjëherë ditën e parë pas periudhës së tranzicionit. Legjislacioni i tillë, përndryshe, do të miratohet si çështje parësore pas përfundimit të periudhës së tranzicionit dhe do të përfshijë, por nuk do të kufizohet me si vijon:
2.1 Ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarët e tyre;
2.2 Ligjin për themelimin e Këshillit të Sigurimit të Kosovës;
2.3 Aktin e Aviacionit Civil;
2.4 Amendamentet e Rregullores së Kuvendit për themelimin e Komisionit për Mbikëqyrje të Sigurisë të Kuvendit;
2.5 Ligjin për financat lokale;
2.6 Ligjet që kanë të bëjnë me ndarjen e kompetencave dhe çështjet e tjera në sektorët si vijon:
2.6.1 Arsimin;
2.6.2 Kujdesin shëndetësor;
2.7 Ligjin për Forcën e Sigurisë të Kosovës;
2.8 Aktin për shërbimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës;
2.9 Aktin për Shërbimin Policor të Kosovës;
2.10 Ligjin për themelimin e Agjencisë Vendore të Inteligjencës të Kosovës;
2.11 Ligjin për nënshtetësinë Kosovare;
2.12 Ligjin për Simbolet Kombëtar dhe festat zyrtare
2.13 Ligjin për dëmshpërblimet

 

Kthehu ne fillim


 

 

powered by Beepworld