K u m t e s ë  sh k e n c o r e

 

VEÇORITË ARTISTIKE TË KËNGËVE POPULLORE

PËR LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT

 

 

Shkruan: Dr.Sadri Fetiu

 

     Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet fazën më të rëndësishme për zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullit tonë, sepse kjo është një ndër etapat vendimtare të luftës tij për çlirimin kombëtar, që ka lënë gjurma të dukshme në jetën shpritërore dhe në aktivitetin kultural të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Procesi i konstituimit të kombit shqiptar intensifikohet plotësisht në këngët që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Ky proces është reflektuar shumë qartë në këto këngë, sepse ato janë frymëzuar nga ngjarjet e historisë, të cilat kapërthehen me kundërthënie të thella të vetë gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe të raporteve të saja të ndërlikuara ndërkombëtare. Këngët e Lidhjes së Prizrenit janë vlerësim kritik i pozitës së këtij populli në periudhën e vrullshme të luftës për çlirimin kombëtar. Krijimtaria jonë gojore dëshmon se lëvizja kombëtare kishte karakter të përgjithshëm popullor Këngët kanë një shtrirje të gjerë territoriale në krahinat e Veriut e sidomos në Kosovë. Ato shtrihen deri në Gjirokastër dhe duke shuar kah jugu zënë të rrallohen. Këngët që i kushtohen Kuvendit të Gjirokastrës dhe veprimtarisë së Abdyl Frashërit, ndonëse dallohet nga krijimet e tjera, qoftë për mjetet e shprehjes artistike, qoftë për karakterin e drejtpërdrejtë përshkrues dhe narrativ, i përcaktojnë në mënyrë më të qartë kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare duke theksuar njëkohësisht edhe unitetin e popullit tonë në luftë për liri. Karakteri masiv i këngëve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dëshmohet edhe nga vetë përmbajtja e tyre. Ato vënë në dukje se në luftën për çlirimin kombëtar marrin pjesë njerëzit që kanë krijuar vetëdijen kombëtare.

                                    “Pa gjak malet mos me i lshue,

                                      jena nisë me u ba milet”…

 

Ose                                Krisi pushka n’istiqamë,

                                      duel mileti me faqe të bardhë!”

     Luftërat e kohës së Lidhjes së Prizrenit në shumë vise quhen “lufta të miletit”. Ndërkaq kënga jonë popullore ka vënë në dukje fare qartë se ushtria popullore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përbëhej kryesisht nga masat e fshatarësisë:

                                      Veç gjashtë dit n’ mujsh me qindrue,

                                       fukaraja opngat sa t’i marojnë,

                                       i madh e i vogël qatje domë me dale…

                                      gjallë s’ ja lshojmë Plavën as Gusinë!

 

Besë-lidhja Shqiptare në Prizren - 10 qershor 1878

     Këngët popullore të kësaj periudhe, ndonëse inkuadrohen në traditën e mëparshme të krijimtarisë sonë gojore të Rilindjes Kombëtare, shikuar nga aspekti i strukturës së tyre poetike dhe i mënyrës së intensifikimit të shprehjes, ndryshojnë mjaft nga këngët e tjera epike që u kushtohen ngjarjeve para dhe pas kësaj periudhe. Midis këngëve që janë mbledhur në viset e Rugovës, të Plavës e të Gusisë dhe përgjithësisht të Malësisë së Veriut gjejmë edhe këngë që kanë strukturë plotësisht të ngjashme me këngët epike legjendare me formën dhe të gjitha formulimet karakteristike të tyre, me mjete të ngjashme të figuracionit, por pa elemente të theksuara mitike. Veçori karakterisatike kanë edhe këngët e muhaxhirëve, popullsisë së shpërngulur me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, të cilat qendrojnë diku ndërmjet këngës elegjiake dhe baladës pa subjekt të ndërtuar epik dhe paraqesin lloj krejtësisht të veçantë në traditën shqiptare. Ato i përshkon njjë ndjenjë e përgjithshme e dhëmbjes shungulluese, ku, përveç faktorit njeri, merr pjesë edhe natyra, malet, fushat, bota e shpezërisë, e madje edhe trupat qiellorë. Në to dhembja merr përmasa të gjera kozmike, sepse e manifeston një nga tragjeditë më mëdha në historinë e këtij populli, shpërnguljen e gati treqindmijë shqiptarëve nga toka e tyre. Janë rrëqethëse situatat tragjike të vdekjes se njerëzve në kushtet e rënda atmosferike të borës e të shiut, shkretërimi i përgjithshëm i më shumë se 600 vendbanimeve shqiptare, që në këngë manifestohet si gjëmë e përgjithshme e natyrës, si dhembje universale që mund ta përjetësojë vetëm fuqia e veçantë e krijimit artistik. Këngët përveç figuracionit përshkruas përmbajnë edhe një varg personifikimesh e apostrofimësh, që e krijojnë atmosferën tragjike, e cila është unike brenda artit tonë popullor. Si e tillë ajo mund të matët vetëm me jehonën e mbetur të shpërnguljeve masive të arbëreshëve, pas vdekjes së Skendërbeut, që ka mbetur si simbol i dhembjes universale të ruajtur në jonet e ndonjë këngë, siç është ajo, “Moj e bukura More”. Por tragjedia e muhaxhirëve është më e madhe, sepse ajo në këto këngë, që shquhen si krijime specifike mbetet një plagë e hapur që në vazhdimësi kullon gjak…

     Midis këngëve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit kemi edhe një numër baladash historike që shquhen për vlerat e tyre të veçanta poetike dhe e rikthejnë në traditën tonë finesën artistike të baladës sonë mesjetare arbreshe që u kushtohet bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, si: Milo Shinit. Nik Petës e Pal Golemit e të tjerëve. Mund të vërehet se në baladat historike të heronjëve të luftërave të Lidhje së Prizrenit, siç janë; Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Smajl Mehmeti, Col Delia, Ali Rexha, Hyse Bajri e shumë të tjerë, përveç situatave të reja që i karakterizon figuaracioni i veçantë poetik e hasim edhe ripërtritjen e ndonjë toposi të ngjashëm me atë të finesave të artit mesjetar të këngëve arbëreshe…

     Shumica e këngëve që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit janë të shkurtra. Kështu, kënga si manifestim shpirtëror, është kufizuar shpesh në transponimin artistik të situatave, të rrethanave dhe të ngjarjeve nëpërmjet veprimeve të veçanta të heronjve, të cilët në momente kulminante përfaqësojnë drejtpërdrejt masat ose me anë të përfaqësimit simbolik paraqesin kohezionin e forcave në viset shqiptare dhe lidhmërinë e veprimit të tyre në situata kur është e domosdoshme që të mbrohen interesat e atdheut. Prandaj, mënyra se si poeti popullor i qaset objektit të frymëzimit të tij krijon mundësi që detaji artistik ta intensifikojë shprehjen dhe të bëhet mjeti kryesor i poetikës së këtyre këngëve. Mu për këtë veprimet që paraqiten në këto këngë i karakterizon dinamizmi i përgjithshëm, që është pasojë e atmosferës së këtillë në realitetin historik e ndoshta edhe e periudhës prodhuese të këtyre këngëve. Megjithëse fryma atdhetare është një veçori e përgjithshme e këngëve historike për ngjarjet deri në vitin 1912 e edhe më vonë, mund të pohojmë se periudha prodhuese e ketyre këngëve është më e shkurtër dhe me ndërprerje të ndryshme. Në në rrethana të vazhdimit të sundimit turk, këngët riaktualizohen krahas këngëve të reja për ngjarjet e mëvonshme. Periudha prodhuese e këngëve pati një ndikim të dyanshëm, që u manifestua në ruajtjen e qëndrueshmërisë strukturore të këngëve dhe varianteve të tyre, ose ky ndikim ishte i disfavorshëm, sepse në rrethana të reja të riaktualizimit ato pësuan ndërrime dhe filluan të harrohen. Qëndrueshmëria e këngëve është kushtëzuar edhe nga mënyra e të kënduarit të tyre, meqë dihet se të gjitha këngët e shkurtra si: “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Mic Sokoli n’dy tagana”, “Hyse’ Bajri po ban me dorë”, “Ali pasha fjalë ka çue” etj., që kanë prej katër deri në dhjetë vargje, janë këngë malsorëçe (“për krye-krahit ose “me gisht në vesh”), të cilat me mënyrën e veçantë të të kënduarit e japin kushtrimin për luftë. Supozojmë se mënyra se si këndohen këto këngë është një prej faktorëve vendimtarë që e ka ruajtur strukturën e tërësishme të këngëve të këtilla, sepse kjo mënyrë nuk lejon seleksionim të vazhdueshëm dhe kështu e kushtëzon ruajtjen e strukturës metrike dhe asaj semantike të vargjeve.

     Këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndyshojnë nga ato të periudhave të tjera, sidomos nga ato të viseve veriore, sepse në to nuk kemi narracion të zgjatur as përshkrime të hollësishme, por veprime të gjalla të heronjve, meqë dinamika e jashme e situatave vepron në botën e tyre të brendshme, prandaj ata flasin, urdhërojnë dhe veprojnë njëkohësisht. Dramaciteti i këtillë i veprimit të heronjve të këtyre këngëve në të shumtën e rasteve realizohet artistikisht nëpërmjet dialogëve dhe monologëve, si edhe pyetjeve retorike të këngëtarit, që në këto këngë e kanë specifikën e vet poetike, sepse kështu paraqitet ajo që është thelbësore, që që kushtëzohet edhe nga rrethanat specifike të entitetit të veprimeve të përgjithshme, sepse këtu nuk vepron më individi, po një populli tërë, “djemt e mimleqetit” (djemtë e atdheut - kjo shprehje përdoret për herë të parë në këngët tona, që flasin për vrasjen e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë). Heroizmin dhe veprimet luftarake të djemve të atdheut, me gjithë përpjekjet e Abdullah pashë Drenit që të arsyetohet në emër të normave tradicionale për mbrojtjen e mikut në shtëpi, i paraqet si vendime të prera të popullit një nga figurat e dalluara të kësaj lufte, Islam agë Batusha:

                                       - Me i pasë kraht me fluturue,

                                       gjallë prej kulls s’ju lamë me shkue;

                                       gjallë prej kulls pashën s’e lamë.

                                       S’e lamë pashën kurr për t’gjallë!

     Në luftën e Plavës e të Gucisë një rol të këtillë për paraqitjen e vendimeve të masave të popullit e luan Kadri Bajri, ndërsa në luftërat e Shtimjes dhe Sivovës, Mic Sokoli. Kështu, mbi veprimet e masave shquhen figurat e heronjve, të cilat këngëtari popullor i vë plan të parë, qoftë duke i konfrontuar me armiqtë, qoftë nëpërmjet urdhërave dhe porosive për bashkëluftëtarët. Në disa raste, në këngët që bëjnë fjalë për udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni, kanë zënë vend edhe pjesët e fjalimeve të tyre, p.sh.

                                         Avdyl Begi prej Toskënisë,

                                         Konka kanë burri i Shipnisë,

                                         U çue n’kamë, po i flet Malsisë,

                                         I lumtë goja, çka i ka thanë:

                                         - Tana fiset gjith ka’ janë,

                                         Të krishten’ e mysliman’,

                                         Donë me u mbledh’n ‘i kuvend t’gjanë,

                                         E me lidhë ni besë të tanë;

                                          Me luftue pë kët vatan …

     Me përjashtim të këngëve të gjata që kanë formë dhe formulime të ngjashme me këngët kreshnike, të gjitha këngët e tjera që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit në thurjen e tyre nuk i kanë të gjitha etapat kompozicionale të këngës epike, sepse veprimi që paraqitet në to është i kondensuar në tërësi dhe është përqendruar herë në kulminacionin e herë në shthurjen e konfliktit. Në shumicën e këtyre këngëve episodi është tërësi në vete që kryen funksionin poetik, jo për ta plotësuar ngjarjen kryesore, por për ta krijuar një pjesë të tërësisë së saj, e cila në dukje të jashtme mbetet fragmentare, por estetikisht ka tërësinë e rrumbullakuar. Prandaj, çdo varg, ose çdo pjesë e vargut, është tërësi estetike që ka edhe kuptimësinë e vet. Qe një shembull:             

 Col Delia, synë sahati,

                                    Lumt-i goja, mirë vikati:

                                    Vetë po jes, pashën p’e çarti!

     Në këtë rast vargu i parë është një metaforë e rrallë në letërsinë tonë popullore që ka kuptimësi të dyanshme, qoftë për parashkimin dhe veprimin preciz të heroit, qoftë si element i vetëm i përshkrimit të tij, ndërsa vargu i dytë përmban njëkohësisht adhurimin dhe vlerësimin për veprimin e tij heroik, i cili paraqitet në vargun e tretë. Përbrenda vargjeve të këtilla që i hasim shpesh edhe në këngët e tjera të Lidhjes së Prizrenit, siç janë ato për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Sylejman Vokshin, Smajl Hysenin etj., krijohet një tërësi kuptimore shumë e kondensuar që realizohet plotësisht edhe në aspektin estetik. Në strukturën kompozicionale të shumicës së këngëve që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit funksion të veçantë artistik ka dialogu dhe monologu, që përzihen shpesh me pyetjen retorike, sepse me ta fillon dhe përfundon konflikti. Format e këtilla të dialogëve dhe monologëve në shumë këngë intensifikohen artistikisht nëpërmjet gradacionit të natyrshëm, kështu format narrative dhe përshkruese janë kufizuar kryesisht në disa shprehje metaforike, të cilat në shumë këngë shërbejnë si ekspozicion i shkurtër, që realizohet në vargjet e para pas të cilave fillon dialogu. Qe disa shembuj:

                                 Mic Sokoli, sokol mali:

                                 Thujmi pashës, t’vraftë allahi!

                                 T’vraftë allahi frik’ e frik,

                                 Ki me m’njoft në Kaçanik...

 

                                 Ali Pasha dul në shkallë,

                                 Ban kuven me bajraktarë:

                                 Ket Rugovë nuk muj m’e nalë,

                                 Krejt barotin ma ka marrë…

 

Ose                         Mic Sokoli n’dy tagana:

                                Udha e marë, m’i ka thanë nana,

                                Lufto, bir, ti për Shipni,

                                Mos i len turqit me hi;

                                N’koftë nevoja, vi me ty.

     Edhe ndërhyrjet e shkurtër poetike midis dialogëve, të cilat kanë karakter sqarues, i karakterizon saktësia e shprehjes, prandaj krahas përgjigjeve shumë funksionale, krijojnë edhe tabllo të gjalla të situatave dhe të veprimeve të heronjve, p.sh.

                                 Ali Ibra n’vraç të zi,

                                 Po i shko’ gjaki për zingji. ..

 

                                 Rexhë Avdija, zog i atit,

                                 Krejt i kuq ka dalë pej gjakit...

 

Ose                         Mic Sokoli n’xhemedan...

                                P’e vnon dorën n’jatagan,

                                Goca - flakë po qet me dham’…

     Në këto këngë theksohet në mënyrë të veçantë karakteri patriotik i luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe potencohen qëllimet e saj: “Me ja dhanë hyqmin Shipnis” ose “Shah në veti don me kanë / kurgja mretit mos me i dhanë, / as redifë, as nizamë”. Dialogu poetik, përveç mundësisë për shprehjen e drejtpërdrejtë të dinamizmit të situatave luftarake, të dëshirave, synimeve, kërkesave dhe përgjithësisht të gjendjes shpirtërore të heronjve të ngarkuar me mllefin e urrejtjes kundër armiqve, sado që ndonjëherë duket i thjeshtë, në kontekstin kuptimor e kondenson kuptimësinë e vet dhe i ngre lart figurat heroike dhe veprimet e tyre. Kështu, bukuri dhe fuqi të veçantë artistike ka dialogu i Mic Sokolit me nënën e tij, ndërsa janë të rralla, jo vetëm në poezinë tonë popullore, vargjet që kanë një formë këtillë të dialogut të imagjinuar në këngët kushtua Smaj Hyseni e Hyse Smajlit, në mënyrë të veçantë modeli i rrallë i krijimit të kondenzuar artistike me titull “Në Fusahë t’ Kosovës a lidh jezeri” ose në këngën unikate për Sefë Kosharen, e cila përbëhet vetëm nga këto katër vargje:

                                   - Sefë Kosharja, i pari i fisit,

                                   hije t’paska maja e lisit!-

                                   - Hije m’ka o djemt e mi,

                                   kam lanë shpirtin për Shqipni!

     Në këngët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përveç formës së dialogut dhe të pyetjes retorike, ideja themelore, porosia artistike dhe efektet estetike realizohen me anën e shprehjes ekspresive dhe figuracionit karakteristik me përbërës të theksuar të lirizmit. Kështu, krahas metaforave, këtu i gjejmë dendur krahasimet, anaforat, epiforat, personifikimin, apostrofën, pyetjen retorike etj. Ndërkaq këngët shquhen edhe për përdorimin e shpeshtë të gradacionit, i cili me ndihmën e shprehjes së gjerë metaforike krijon mundësi që veprimet e masave dhe të heronjve që dalin nga to të përjetësohen artisitikisht dhe në momentet e vdekjeve tragjike të veprojnë dhe të flasin në mënyrë madhështore, duke lënë porosi për vazhdimin e luftës. Dhe, ta përfundojmë, jehona e kësaj porosie me veçoritë e theksuara artistike dhe estetike, që i karakterizojnë këto këngë si krijime kulminante të artit tonë popullor, u manifestua si frymëzim i fuqishëm për këngët dhe luftëtarët e mëvonshëm, prandaj fryma liridashëse e përshkon krejt krijimtarinë gojore të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare, e madje edhe këngët e krijuara deri në kohën tone, të cilat u kushtohen heronjve të UÇK-së.

 

( Kjo kumtesë u prezentua në një Sesion Shkencor, në kuadër të Manifestimit Ndërkombëtar të Poezisë „Drini poetik“, që u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, më 10 - 11 qershor 2010 në Prizren. )

 

 

 
 
Janë sosur letrat e fallit! 

VAZHDIMI I BISEDIMEVE  - TRIUMF I IDEVE TË

KRIMINELIT MILLOSHEVIQ

 

Shkruan: Dr.Sadri FETIU, Prishtinë

 (www.pashtriku.org – 14.07.2007 / 20:10)

 Pak histori

Siç e kam thënë edhe shumë herë më parë, me ne, me fatin tonë, pra, të shqiptarëve të Kosovës janë duke luajtur tash e më shumë se dy dhjetëvjetësha.

-Po kush po luan me ne ?! - duhet të shtrohet pyetja.

Lojën e madhe e ka filluar pushtuesi ynë, Serbia.

Po kur ka filluar kjo lojë? Loja ka filluar shumë herët.

Serbia me përkrahjen e Rusisë dhe të pansllavizmit të përgjithshëm i ka pushtuar me dhunë viset shqiptare të Toplicës, të Kosanicës,  të Vaganicës, të Pustarekës, të Jabllanicës dhe përgjithësisht të Sanxhakut të Nishit më 1875 – 1878 dhe nga më shumë se 600 (edhe me shkronja: gjashtëqind) vendbanime i ka dëbuar shqiptarët – muhaxhirët e njohur.

Sa ishte numri i të dëbuarve?

Shovenistët serbë, ata që në veprat e tyre kanë shkuar aq larg saqë pohojnë se “shqiptarët janë me bishta” ( kupto: janë shtazë, majmunë antropomorfë?!) kanë pohuar në shkrimet e tyre se janë dëbuar vetem 30 mijë shqiptarë. Kuptohet se numri është minimizuar dhe të paktën duhet të jetë dhjetëfish më i madh. Pra, në atë kohë u pushtuan tokat shqiptare dhe nga ato u debuan mbi 300 000 (me shkronja: treqind mijë) shqiptarë dhe në vend të tyre ka sjellë kolonistë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe e ka ndërruar në tërësi strukturën etnike të popullsisë.

Atëherë bota, Evropa e asaj kohe, nuk  ka heshtur për këto krime të rënda. I ka thënë pak fjalë dhe ka kërkuar që muhaxhirëve shqiptarë t’u lejohet të kthehen në tokat e tyre ose edhe t’u paguhet dëmshpërblimi për to. Kaq ka qenë puna e drejtësisë evropiane. Por Serbia, e përkrahur nga pansllavizmi rus, nuk është lodhur për ketë punë dhe muhaxhirët janë shpërndarë nëpër botë deri në Sham (Damask) të Sirisë dhe kurrë më nuk kanë mundur të kthehen në viset e tyre. Krejt territori i shqiptarëve, që si hapësirë ishte më e madhe seç është Kosova e sotme, është bërë pjesë e Serbisë.

Serbia e ka pushtuar edhe Kosovën më 1912. Bota, Evropa e asaj kohe, ka heshtur. Konferenca e Ambasadorëve të Evropës, e Londrës, i ka caktuar kufijtë dhe më shumë se gjysmën e viseve shqiptare, me më shumë së 95 për qind të popullsisë shqiptare, ka mbetur jashtë shtetit shqiptar, Shqipërisë së cunguar për të cilën njeri nga diplomatët e njohur anglez pohonte se e “kemi krijuar një trup pa gjymtyrë që nuk është i aftë të gjallërojë”…

Kjo, pra, është historia, në të cilën aleatë të Serbisë, përveç pansllavizmit rus, ishin edhe paaftësia, mosorganizimi, hutia, e udhëheqësve të popullit tonë dhe komplet Evropa dhe politika e saj kapitulluese para dhunës sllave.

Pak aktualitet

Sa i përket Kosovës, mund të thuhet lirisht se asgjë në thelb nuk ka ndyshuar. Aktualisht në Kosovë vërtet është pushteti i UNMIK-ut dhe ushtria e KFOR-it, që e monitorojnë gjendjen dhe kërkojnë një zgjidhje për statusin e Kosovës. Ata punuan  gjatë këtyre tetë vjetëve për ta qetësuar situatën dhe u bënë roje e interesave të Serbisë në Kosovë, duke miratuar standarde e rregulla me të cilat minimizohej shqiptarësia e Kosovës dhe maksimalizohej multietniciteti i saj, edhe pse këtu janë më shumë së 90 përqind të popullsisë shqiptarë autoktonë, kurse serbët, shumica, janë ardhacakë, kolonistë, që i ka sjellë Jugosllavia mbretërore dhe ajo titisto-rankoviqiane.

UNMIK-u dhe KFOR-i mund të thuhet lirisht u bënë roje e enklavave të Serbisë brenda Kosovës dhe vepruan që interesat e saj të ruhen edhe formalisht, prandaj, pos të tjerave, e bën serbishten gjuhë zyrtare dhe kudo në tabela e shënuan këtë gjuhë më mirë seç është në vetë Serbinë.

Duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës deri tash vonë ndërkombëtarët nuk ia vunë emrin e vërtetë kësaj zgjidhjeje, por i shtyen “hundë e buzë” shqiptarët që të bisedojnë me Serbinë.  

Siç e dime bisedimet me Serbinë ishin ide e vetë kriminelit Milosheviç, për të cilin po thuhet se ka vdekur në burgun e Hagës.

Milosheviçi edhe para luftës i pati përgatitur “bisedimet” me shqiptarët. Një kohë, kur udhëheqësit tanë nuk pranonin të shkonin në këto bisedime, ai i organizonte ato në mënyrë alternative në Prishtinë e në Beograd dhe i tubonte në to disa  kolaboracionistë me plisa të bardhë, që i quante “shqiptarë të ndershëm”, si edhe shumë nga pjesëtarët e pakicave, midis të cilëve mbizotëronin “ciganët” e “garaganët” , shiptarella e shkavella të ndryshëm.

Me vonë Shërbimi i Sigurimit të Serbisë,  i Stanishiqit, me ndërmjetës Baton Haxhiun (publicistin tonë të famshëm, që sot po e nxjerrë gazetën “Ekspress”) dhe me të tjerët që nuk “janë eksponuar” haptas, pati sukses ta organizojë G-6 shqiptar dhe ta çojë për bisedime në Beograd.

Nga takimi i G-6-tës shqiptare me kryekriminelin Millosheviç, Beograd(15.05.1998). Pamja e takimit: Fehmi Agani, Ibrahim Rugova dhe Sllobodan Millosheviç (Foto - Reuters)

Pra, le të thuhet haptas, botërisht, se bisedimet janë ide e Milosheviçit dhe ai me anë të tyre donte ”ta zgjidhte” problemin e Kosovës.

Idetë e shovenizmit serb, pra, edhe të vetë kriminelit Milosheviç, siç është multietniciteti i Kosovës, pastaj negociatat serbo-shqiptare, “barazia” gjuhësore e shumë nga standardet e tjera, i përvehtësoi me shumë mjeshtri edhe UNMIK-u dhe përgjithësisht faktori ndërkombëtar që dëshiron ta “zgjidhë “ çështjen e Kosovës.

Pra, bisedimet ose mund t’i quajmë edhe negociatat, që i kontestonte lëvizja e “Vetëvendosjes”, nuk ishin asgjë tjetër, pos një reprizë e bisedimeve që i kishte filluar sipas skenarit të Milosheviçit, më 1998,  G-6-shi shqiptar, që tash u quajt me një emër më të bukur - Grupi i Unitetit…

Rezultat i plotë i këtyre bisedimeve që u bënë në Vjenë, është Pakoja e Ahtisarit.

Është thënë shumë për këtë pako, prandaj  kësaj radhe vetëm një konstatim:

Me Pakon e Ahtisarit sigurohet, jo e drejta e serbëve të Kosovës si pakicë nacionale, por e drejta e Serbisë për ta mbikëqyrur ( kupto: sunduar) krejt territorin në të cilin do të shtrihen komunat serbe të Kosovës, si edhe atë që lidhet me mbrojtjen territoriale të kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë.

Por, Serbia nuk është e kënaqur me kaq. Ajo e do Kosovën si tërësi, e quan territor të saj.

Përkrah Serbisë, si gjithmonë në të kaluarën është rreshtuar Rusia, që luan me votën e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe Evropa demokratike, që ka heshtur në të kaluarën kur janë pushtuar tokat shqiptare, nuk mund “t’ia prishë” Rusisë.

Evropa, pra vrapon si dhelpra që ta marrë me të mirë Ariun e Madh Polar, sepse ka interesa të veçanta ekonomike, dhe dëshiron që me servilizmin e saj tradicional ta ruajë traditën shekullore të bashkëpunimit të saj me Rusinë në dëm të popullit shqiptar.

Franca “mikesha” tradicionale e sllavëve të Ballkanit  vrapoi e para që të sigurojë mundësi për vazhdimin e bisedimeve edhe për gjashtë muaj.

Për çudi edhe Amerika, madje, edhe pas fjalëve të mëdha që i tha Xhorxh Bushi në Tiranë, “ua la në dorë” punën aleatëve të saj evropianë, mbase për t’i provuar se deri ku do të shkojnë (?!)…

Edhe pse kjo që po ndodh me fatin tonë është pjesë e lojës makabre të absurdit të pashembullt as brenda fiksionit të artit, megjithatë do të shtrohet pyetja:

Për çka do të bisedojnë shqiptarët e Grupit të Unitetit, që në të vërtetë është një grup mjeranësh, të cilin bashkësia ndërkombëtare i ka poshtëruar deri në pafundësi, madje, duke i përkdhelur me fjalë se “ata janë burra të mirë dhe do ta pranojnë vazhdimin e bisedimeve”, kur Serbia e thotë haptas se do që ta sundojë vetë Kosovën se është territor i saj, kurse Rusia pohon se nuk do ta pranojë kurrë zgjidhjen të cilën nuk e pranon Serbia ?!..

Serbia, në qoftë se zbatohet ashtu siç shkruan në të, Pakoja e Ahtisarit, do ta shtrijë pushtetin e saj faktik në pjesën kryesore të Kosovës, në territorin e komunave serbe, në enklava të tjera,  në rajonet rreth kishave dhe manastireve ortodokse, prandaj ata qe e kanë pranuar këtë “pako”, nuk u ka mbetur asgjë tjetër, pos ta shtrijnë qafën deri në fund dhe ta pranojnë edhe Serbinë si mbikëqyrëse të plotë të Kosovës...

Pse jo?... Serbia nuk ndryshon shumë nga Evropa. Edhe ajo është Evropë, sepse sipas Hagës ka dalë krejt e pastër dhe nuk ka bërë as krime e as gjenocid as në Bosnje e as në Kosovë?!

Më në fund, as Evropa, siç u dëshmua deri tash, nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër… Ajo deri sot ka vepruar me reçeta të Milosheviçit. Këtë e dëshmon më së miri kërkesa e Evropës për vazhdimin e bisedimeve…

Grupi i Unitetit...!

E vazhdimi i bisedimeve në këto rrethana, mund të thuhet lirisht se është triumf i plotë i ideve të Milosheviçit.

Pra, Milosheviqi nuk ka vdekur. Ai është i gjallë dhe i fortë, sepse e këtillë në rrethana të sotme është udhëheqja e Serbisë?!...

Pak si përfundim

Çka mund të thuhet pas gjithë kësaj?  Dikush i ka shpenzuar të gjitha adutet.

Ata që e kanë mashtruar popullin tonë, ndërkombëtarët, e në mënyrë të veçantë vendorët, pjesëtarët e grupit negociator, sidomos ata të grupit të Unitetit i kanë sosur rrenat.

Më i mençuri prej tyre, ujdisti V. Surroi, u ngut i pari që ta thotë se janë sosur letrat e fallit...

Pra, grupi i unitetit ka dështuar. Ai ka arritur në fundin e rrenave të veta.

Nuk mund të thuhet se është mashtruar, se është tradhtuar, sepse UNMIK-u që nga fillimi ka vepruar në bazë të rezolutës 1244, dhe sjellja e tashme e evropianeve është dëshmi se ata e kanë pasur synimin e vet që të arrijnë në cakun e dëshiruar… mu këtu ku jemi ne sot…

Është parë, gjithashtu, se ky cak nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratat shekullore të popullit shqiptar, që synon asgjë më shumë se të jetë i lirë,  i bashkuar, i barabartë me të gjithë të tjerët në Evropën e Bashkuan, në qoftë se vërtet do të mund të krijohet  si e tillë  me ecurinë e tashme të politikës evropiane.

Grupi i Unitetit dhe përgjithësisht udhëheqja e sotme politike e Kosovës ka dështuar.

Ajo, në qoftë se pranon vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, edhe tash kur dihet se nuk ka më se për çka të bisedohet, do të kompromitohet përfundimisht…

Mbase e keqja e ka një të mirë… Populli do të heqë dorë përfundimisht nga përkrahja e politikës kapitulluese…E populli do të kërkojë edhe rrugë të tjera… Dhe, besoj se do t’i gjejë… Ai kurrë nuk do ta pranojë robërinë…

Flet Dr.Sadri Fetiu

GRUPI I UNITETIT I PËRNGJAN PLOTËSISHT POLITBYROSË SË DIKURSHME TË “CENTRALNI KOMITETIT”

Më 30 qershor do të jem bashkë me trimat e “Vetëvendosjes”

(www.pashtriku.org – 28.06.2007 / 22:30)

&

Përmbajtja thelbësore

  • Pa u sigurua  e drejta e vetëvendosjes për popullin e Kosovës dhe pa u gjetë zgjidhja adekuate për çështjen shqiptare as Ballkani e as Evropa nuk do të jetë e qetë.
  • Ishte vetëm politikologu ynë i njohur, Ukshin Hoti, i cili në veprat e tij ua tërhiqte vërejtjen bashkëkombasve të tij për pasojat e poltikës ruse në Ballkan dhe në Evropë
  • Intelektualët që mendojnë ndryshe nga partitë nuk i pyet  kush për asgjë.Ata cilësohen si anakronikë ose si ekstremistë.
  • Grupi i Unitetit nuk ka nevojë për mendime të tjera. Ai siç po shihet nga vetë emri është unik dhe monolit, prandaj i përngjan plotësisht politbyrosë së dikurshme të “Centralni Komitetit”
  • Poltika jonë, mund të thuhet lirisht është defaktorizuar plotësisht, sepse për asnjë çështje  nuk është  në gjendje të vendosë pa kërkuar pëlqimin “nga lart” (kupto, nga sundimtarët absolutë të Kosovës!) Unë për vete habitëm kur e shoh se në tubime të ndryshme që organizojnë këta poltikanë si dikur Lidhja Socialiste për ta propaganduar Pakone Ahtisarit dhe pavarësinë që do të na sjellë ajo (?!) gjenden ende njerëz që shkojnë për t i degjuar pallavat e tyre?!Poltikanët e Kosovës mendoj se kanë dështuar që në qershor të vitit 1999, kur i formuan dy qeveri, kur vepruan krye në vete dhe vrapuan që ta fitojnë kush si të mundet besimin e ndërkombëtarëve, kur i pranuan mekanizmat e përcaktuar dhe u bënë pjesë e përbashkët me Artemijen, kur hynë në organe ku ishin edhe kriminelët e ndryshëm serbë...
  • Albin Kurti dhe shokët e tij të”Vetëvendosjes” janë në rrugë të drejtë. Albini e dëshmoi së në vazhdimësi ishte i gatshëm të flijohet për çështjen shqiptare, për lirinë e popullit të tij. Ai është intelektualë i mirëfilltë që  vjen nga një familje me tradita atdhetare. Të dy prindërit e tij, Zajmin dhe Arifen, i njoh që nga vitet gjashtëdhjetë, sepse i kam pasur nxënës në shkollën e mesme teknike. Ai është intelektualë që e ka mposhtur ndjenjën e inferioritetit, që i ka tejkaluar komplekset e pjesëtarit të një populli që ka jetuar me shekuj në robëri.
  • Mbajtja e Albin Kurtit në burg është turpi më i madh për Evropën e sotme që vetën e quan demokratike. Për vendorët e kam thën në një rast më parë dhe do ta përsëris: është e çuditshme se si politikanët tanë nuk kanë turp nga varrët e dëshmorëve para të cilëve shkojnë e përkulen, kurse vëllain e tyre të idealit, Albin Kurtin e mbajnë në burg! Më 30 qershor do të jem bashkë me trimat e “Vetëvendosjes”. Deri sa të kem fuqi të eci vetë do të jem me ata që veprojnë për interesa të popullit, do të veprojë për lirinë e tij, për të drejtat e tij demokratike, për çështjen shqiptare...

 

***

EPOKA E RE: Si e konsideroni zhagitjen e definimit  të statusit të Kosovës?

S.FETIU: E kam thënë edhe me parë në dy-tri raste se po vazhdon loja me ne tash tetë vjet. Kjo është një absurditet i veçantë që mund të haset vetëm në dramën e Beketitit “Duke pritur Godonë”. Loja kishte filluar me përcaktimin e multietnicitetit si karakteristikë e shpifur e Kosovës, pastaj me “kornizat” e me standardet, me forumet e me “grupet faktmbledhëse” etj. Vetëm ne që jemi popull i urtë e i butë, që i shikojmë me adhurim të huajt, sidomos perëndimorët, për shkak të ndjenjës së inferioritetit që kemi ndaj tyre, mund ta durojmë deri në fund këtë “lojë” pa marrë parasysh se sa do të zgjasë.

EPOKA E RE: Mund të sjell destabilizim në vend kjo gjendje?

S.FETIU: Mashtrohen keq ata që mendojnë se këtu është gjendja stabile. Kjo është një qetësi e rreme, sepse pa u sigurua  e drejta e vetëvendosjes për popullin e Kosovës dhe pa u gjetë zgjidhja adekuate për çështjen shqiptare as Ballkani e as Evropa nuk do të jetë e qetë. Zgjidhja që ofron e ashtuquajtura Pako e Ahtisarit, e cila siç po shihet duhet të ndryshohet edhe më tutje në dëm të shqiptarëve, nuk do të sigurojë qetësi, sepse sot edhe mund të ketë heshtje dhe pritje, nesër nuk do të durohet padrejtësia që po i bëhet këtij populli në vazhdimësi. Shqiptarët janë popull i ndarë me dhunë dhe as pavarësia e kushtëzuar e as ajo e plotë e Kosovës, që karakterizohet si bashkësi multietnike, nuk siguron zgjidhje përfundimtare. Kjo, në rrethanat e tashme gjeopolitike, mund të jetë vetëm një fazë e procesit të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Nuk mund të ketë Evropë të Bashkuar e brenda saj popuj të ndarë me dhunë në katër pesë – shtete. Prandaj stabiliteti dhe prosperiteti i plotë do të sigurohen vetëm kur të krijohet Shqipëria e Vërtetë, që disa po e quajnë Shqipëri Natyrale. Proceset integruese është e njohur sipas ligjeve të përgjithshme kanë ecuri të caktuar, sepse së bari duhet të bëhet bashkimi i të njëjtave dhe të ngjashmëve e pastaj mund të integrohen edhe të ndryshmet. Globalizmi ose mondializmi është një proces që nuk mund t´i rrafshojë e   as t i fshijë veçoritë thelbësore të kombeve.

EPOKA E RE: Si e shpjegoni  kryeneçësinë e Rusisë në lidhje me definimin  e statusit të Kosovës?

S.FETIU: Rusia, me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur gjatë dhjetëvjetëshave të fundit, është ende superfuqi si në planin ekonomik  (ka resurse të shumta) ashtu edhe në planin ushtarak. Politika e jonë nuk ka ditur ta vlerësojë drejt rolin e drejtpërdrejtë dhe atë të tërthortë të Rusisë në marrëdhëniet poltike evropiane dhe botërore. Ishte vetëm politikologu ynë i njohur, Ukshin Hoti, i cili në veprat e tij ua tërhiqte vërejtjen bashkëkombasve të tij për pasojat e poltikës ruse në Ballkan dhe në Evropë. Mirëpo, duhet të thuhet haptas se poltikës ruse i jep dorë të fortë edhe jouniteti i politikës evropiane, sidomos kur është fjala për çështje të Kosovës. Thënë me saktësi të terminologjisë gjeopolitike Evroazia në mënyrë përfide i kundërvihet atlantizmit të mirëfilltë, prandaj vetëm SHBA-ja dhe Anglia kanë qëndrim më të përcaktuar rreth çështjes së Kosovës. Shumë nga vendet e tjera, midis të cilave edhe vendet fqinje,  që kanë pasur poltikë ekspanzioniste ndaj viseve shqiptare, janë aleatë të heshtur të Rusisë.

EPOKA E RE: Ekziston rreziku që Rusia ta bllokojë procesin e pavarësimit të Kosovës?  

S.FETIU: Ajo, në sajë të përkrahjes së evropianëve labilë tashmë e ka bllokuar përkohësisht zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pra, shtyrja e vëndimit në Këshillin e Sigurimit, kërkesa për vazhdimin e bisedimeve, kur Serbia e thotë haptazi karshi Evropës se nuk do të pranojë kurrëfarë pavarësie për Kosovën, paraqet vazhdimësinë e rrezikut për të ardhmën tonë. Evropa  tashmë e ka rehabilituar plotësisht Serbinë dhe e ka liruar nga barra e gjenocidit ndaj fqinjëve të vet kroatë, boshnjakë e shqiptarë. Askush nuk mund ta dijë se çfarë erëra do të fryjnë në politikën evropiane të vitit 2008, çfarë interesa të të mëdhenjve do të bëhen përcaktues për fatin tonë. Megjithatë,  në qoftë se në politikë ka nder dhe fytyrë (?!), atëherë mund të shtrohet pyetja ku do të mbetej prestigji i kryetarit të SHBA-së, Gjorgj Bushit, i cili tha fjalë të mëdha në Tiranë? Nuk duhet të humbet shpresa, por fati i të vegjëlve kurrë nuk është i sigurt...

EPOKA E RE: Pse Ju si intelektual së bashku me kolegët tuaj vazhdoni të heshtni për ngjarjen politike?

S.FETIU: Jo, unë nuk kam heshtur kurrë, madje edhe në kohët kur fjala ka kushtuar bukur shtrenjtë. Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit kam shkruar shume artikuj publicistikë, disa nga të cilat janë analiza të mirëfillta që edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin. Në periudhën e paraluftës së viteve 1998 – 1999 vlerësimet e mia kritike i kam paraqitur edhe me anë të vjershave satirike, që janë botuar edhe si përmbledhje me titull  “Vargje satirike” , Prishtinë, 1998. Ndërkaq, në periudhën e pasluftës kam shkruar bukur shpesh në gazetën tuaj. Këto shkrime i kam përmbledhur në librin “Udhëkryqet e Kosoves”, Prishtinë, 2005. Megjithëse politika jonë nuk e pëlqen mendimin ndryshe, unë kam vazhduar të shkruaj edhe sot e kësaj dite dhe t i shpreh pikëpamjet që janë të kundërta me ato të partive dhe të qarqeve të tjera të politikës sonë. Unë kurrë nuk kam qenë pjesëtar i partisë as në kohën e monizmit e as tash. Intelektualët që mendojnë ndryshe nga partitë nuk i pyet  kush për asgjë. Ata cilësohen si anakronikë ose si ekstremistë. Fatkeqesisht politika jonë i do intelektualët që të jenë vetëm dekor që u rrijnë pranë figurave të udhëheqësve partiakë, për t´ua shtuar autoritetin e tyre në sy të popullit. Edhe të huajt që janë këtu sundimtarë të vërtetë nuk kanë nevojë për intelektualët tanë, sepse atyre u duhen njerëzit e urtë e të dëgjueshëm që i zbatojnë urdhërat e tyre. Pra ky është fati i intelektualit tonë të sotëm, i cili nuk ka pranuar të futet në ingranazhet e sistemit të veprimeve partiake  e administrative të UNMIK-ut ose të strukturave vendore të pushtetit.

EPOKA E RE: Pse për shembull  intelektualët, akademikët..., nuk janë më aktiv, apo Grupi i Unitetit nuk ua merr  parasysh as fjalët...?

S.FETIU: Grupi i Unitetit nuk ka nevojë për mendime të tjera. Ai siç po shihet nga vetë emri është unik dhe monolit, prandaj i përngjan plotësisht politbyrosë së dikurshme të “Centrlni Komitetit”. Është shumë e habitshme si mund të ndodhë që përfaqësuesit e demokracisë perëndimore kanë insistuar për të krijuar një organ të këtillë, që i përjashton pothuajse plotësisht të gjitha strukturat normale të organizimit të pushtetit. Kjo nuk mund të quhet ndryshe pos hipokrizi e përfaqësuesve të UNMIK-ut që për nevoja të veta pragmatike nuk i zgjedhin mjetet  për t i detyruar poltikanët e Kosovës që të pajtohen me zgjidhje të pafavorshme për popullin e tyre. Disa nga pjesëtarët e këtij grupi edhe ata të ekipit negociator, siç e kemi parë të gjithë, kanë qenë shumë më të preokupuar si të ishin në moshën e adoleshencës, se si do të duken së jashtmi me veshje  e me frizura të lyera me “gel” sesa për atë që do ta thonë atje. Ata madje shpesh kanë dhënë edhe deklarata naive për “fitoret” e tyre  përballë negociatorëve serbë. Po e përsëris, politika jonë nuk kishte nevojë për mendimet e intelektualëve, nuk kishte nevojë për të vërtetën, sepse ajo mendonte se duhet “të bënte politikë  të nivelit të lartë” domethënë t´u përshtatej politikave evropiane, sepse ato konsideroheshin vendimtare për fatin e popullit tonë. Poltika jonë, mund të thuhet lirisht është defaktorizuar plotësisht, sepse për asnjë çështje  nuk është  në gjendje të vendosë pa kërkuar pëlqimin “nga lart” (kupto, nga sundimtarët absolutë të Kosovës!)

EPOKA E RE: Po të ishit në vend të ndonjërit prej anëtarëve të Grupit të Unitetit, si do të vepronit në këtë kohë?

S.FETIU: Siç e dini unë që nga fillimi kam qenë kundër negociatave me Serbinë. Për këtë punë i kam shkruar të paktën nja katër analiza, të cilat “poltika jonë e lartë” i ka injoruar. Unë që nuk jam në asnjë parti, nuk mund as ta marrë me mend se do të kisha pranuar për t´u bërë anëtar siç thash me parë të një politbyroje te Centrlni Komitetit!?

EPOKA E RE: Për çka do t’i fajësonit anëtarët e Grupit të Unitetit?

S.FETIU: Megjithëse “oksidentalistët “ tanë do të më akuzojnë për folklorizëm e primitivizëm kësaj pyetjeje do t i përgjigjem me një anekdotë:

 Një djalë i keq, mendjemadh dhe arrogant, që me sjelljet e veta ka gërditur jetën e babait të tij, duke menduar se ishte shumë i dobishëm për popullin, një ditë e pyeti babanë:

“O babë, çka ta marr mendja ty, për të mirën e këtij populli a ma mirë është që unë kam lindur e po jetojë në këtë kohë apo të kisha lindur para njëqind apo pas njëqind vjetësh?” Babai  i përgjigjet: “O djali jem, paske le për taksiratin tem, se sa për të mirën e këtij populli më mirë do të ishte sikur mos të lindeshe kurrnjëherë!” Pra, ta them edhe një herë qartë Grypi i unitetit nuk duhet të ekzistonte fare. Atë e krijuan të huajt për të na kufizuar të drejtat tona për të na mohuar të drejtën e vetëvendosjes për ta bërë më të lehtë pranimin e pakos së Ahtisarit e për shumë qëllime të tjera.

EPOKA E RE: Po për shpenzimet marramendëse( paga, udhëtime jashtë vendit...) të Grupit të Unitetit...?

S.FETIU: Është e kuptueshem që ata që shkuan në Vjenë, nuk do të mund ta merrnin bukën me vete e as të flenin në stacione të trenave apo në parqe të ndryshme, siç bëjnë shumë nga gastërbajtërit tanë. Atyre duhet t´u mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit, por pagat e beneficionet e tjera nuk u takojnë. Fatkeqësisht shumë nga politikanët tanë hynë në politikë për interesa personale, për t´u pasuruar. Po flitet se disa nga ata kanë bërë pasuri përrallore se “i kontrollojnë” ose edhe janë hisedarë në të gjitha njësitë ku qarkullon paraja, në pompa të benzinës, në objekte hoteliere, në objekte të privatizuara tash vonë me çmime shumë të lira  etj. Ata e kanë shfrytëzuar gjendjen kaotike , por edhe janë yshtyr nga “hajnat ndërkombëtarë” që operojnë lirisht në Kosovë si pjesëtarë të UNMIK-ut dhe të asociacioneve dhe agjencive të tjera evropiane. Një sjellje e këtillë e poltikanëve tanë e ka degraduar në përgjithësi nderin tradicional të këtij populli. Unë për vete habitëm kur e shoh se në tubime të ndryshme që organizojnë këta poltikanë si dikur Lidhja Socialiste për ta propaganduar Pakone Ahtisarit dhe pavarësinë që do të na sjellë ajo (?!) gjenden ende njerëz që shkojnë për t i degjuar pallavat e tyre?!

EPOKA E RE: Konsideroni se duhet të jap dorëheqje Grupi i Unitetit?

S.FETIU: E thashë edhe më parë ai nuk duhet të ekzistonte fare. Sa më parë që të çbëhet aq ma mirë për vetë ata dhe për popullin, që fatkeqësisht ende shpreson se mu ata do t´ia sigurojnë lirinë, se do ta sjellin pavarësinë...etj. etj.

EPOKA E RE: Deri kur mendoni se politikanët  e Kosovës duhet pritur se çka po ndodh në KS të OKB-së?

S.FETIU: Poltikanët e Kosovës mendoj se kanë dështuar që në qershor të vitit 1999, kur i formuan dy qeveri, kur vepruan krye në vete dhe vrapuan që ta fitojnë kush si të mundet besimin e ndërkombëtarëve, kur i pranuan mekanizmat e përcaktuar dhe u bënë pjesë e përbashkët me Artemijen, kur hynë në organe ku ishin edhe kriminelët e ndryshëm serbë, kur i pranuan kornizat e standardet të cilat nuk janë të zbatueshme as në vendet më të qytetëruara të Evropës, kur u bënë unik në grupin e negociatorëve dhe të unitetit kur e pranuan pakon e Ahtisarit, kur i pranuan fajet e paqenë dhe përgjegjësinë që nuk ishte e tyre për ngjarjet e masit 2004, me të cilat u vu baraspesha ndërmjet krimeve serbe dhe shqiptarëve të pafajshëm e shumë e shumë të tjera që këtu nuk kemi mundësi as t´i numërojmë. Me poltikanë të këtillë që kanë rënë nën minimumin e inferioritetit të popullit të shtypur duhet të presim edhe shumë. Ata nuk dëshmuan me asgjë se janë të gatshëm të sakrifikojnë gjë për Kosovën. Unë për vete moti i kam çuar duar nga këta politikanë. Ata, madje tash nuk e kanë edhe mandatin e popullit. Duhet të mbahen zgjedhje vërtetë të lira e demokratike në mënyrë që të dihet se kush ka të drejtë ta përfaqësojë këtë popull. Duhet të sigurohet e drejta për vetëvendosje me referendum i cili i obligon të gjithë që pastaj ta mbrojnë pavarësinë e Kosovës dhe të hapin shtegun për procesin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare...

EPOKA E RE: Kundër kësaj politike (të pritjes se çka po ndodh me pakon e Ahtisarit) vazhdon të deklarohet Albin Kurti...?

S.FETIU: Po Albin Kurti dhe shokët e tij të”Vetëvendosjes” janë në rrugë të drejtë. Ata janë kundër politikës kapitulluese, që e ka pranuar Serbinë jo vetëm si partnere të barabartë në bisedime, por edhe si hisedare që do ta kontrollojë drejtpërdrejtë pjesën e ndarë, sipas Pakos së Ahtisarit, të komunave serbe në Kosovë. Ata ishin kundër negociatave dhe kërkonin të drejtën e popullit për vetëvendosje që është e drejtë e garantuar në bazë të normave ndërkombëtare për të drejtat e popujve.

Albini e dëshmoi së në vazhdimësi ishte i gatshëm të flijohet për çështjen shqiptare, për lirinë e popullit të tij. Ai është intelektualë i mirëfilltë që  vjen nga një familje me tradita atdhetare. Të dy prindërit e tij, Zajmin dhe Arifen, i njoh që nga vitet gjashtëdhjetë, sepse i kam pasur nxënës në shkollën e mesme teknike. Edukata e shëndoshë familjare, puna e madhe gjatë viteve të studimeve, puna e vazhdueshme për ngritje të përgjithsme intelektuale edhe brenda mureve të burgjeve, e kanë bërë Albin Kurtin veprimtar shembullor që nuk e ka shoqin në kohën tonë. Ai është intelektualë që e ka mposhtur ndjenjën e inferioritetit, që i ka tejkaluar komplekset e pjesëtarit të një populli që ka jetuar me shekuj në robëri.Albini duhet të jetë shembull për të gjithë popujt që luftojnë për liri dhe të drejtat e veta. Ai çdokund do të admirohej si luftëtari i të drejtave njerëzore si njeri që është i gatshëm të flijohet për lirinë e popullit të tij, kurse shtypi ynë i mjerë, i sponzorizuar nga donatorët e huaj, e shpalli kriminel pas demonstratës së 10 shkurtit.

EPOKA E RE: Pse Kurti vazhdimisht po mbahet në paraburgim?

S.FETIU: Albini mbahet në burg, sepse faktori ndërkombëtar që sot vendos për fatin e Kosovës nuk ka argumente t´i kundërvihet atij as të drejtës së popullit për vetëvendosje, pos  me anë të dhunës policore dhe të burgut. Edhe faktori vendas tek Albini  e sheh rrezikun, sepse nuk do të shkojë shumë kohë dhe Albini do t´i varrosë për së gjalli shumë nga figurat e skenës së sotme politike, që bëjnë politikën e huaj ose punojnë vetëm për pangopësinë e apetiteve të veta për ta plaqkitur pasurinë e përbashkët me anë të makinacioneve të ndryshme pushtetore.

EPOKA E RE: Përkundër moshës që keni do të dilni në protestën e Lëvizja Vetëvendosje më 30 qershor në Prishtinë?

S.FETIU: Po, më 30 qershor do të jem bashkë me trimat e “Vetëvendosjes”. Deri sa të kem fuqi të eci vetë do të jem me ata që veprojnë për interesa të popullit, do të veprojë për lirinë e tij, për të drejtat e tij demokratike, për çështjen shqiptare...

EPOKA E RE: Keni ende shpresa se Kosova do të bëhet e pavarur?

S.FETIU: Proceset historike nuk mund të ndalen. Unë shpresoj jo vetëm që Kosova do të bëhet e bavarur, por ajo në një fazë të mëvonshme do të bëhet pjesë e Shqipërisë së Bashkuar. Pra kam shumë shpresë se në një të ardhme jo shumë të largët do të zgjidhet përfundimisht çështja shqiptare dhe Shqipëria do të bëhet mu ashtu siç e kanë ëndërruar rilindësit tanë dhe të gjithë brezat e atdhetarëve deri në luftën e fundit të UÇK-së së lavdishme...

EPOKA E RE: Kur do të bëhet e pavarur?

S.FETIU: Në këtë pyetje nuk mund të përgjigjem. Do të duhej për punë të këtilla të pyetej i “famshmi grup i unitetit” që i di të gjitha ?!

Botuar në gazetën "Epoka e re", më 27.06.2007

 Kthehu ne fillim

 ---------------------------------

 Me rastin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

 PSE NUK MUND TA HARROJMË HISTORINË

 

Shkruan: Dr.Sadri FETIU, Prishtinë

(www.pashtriku.org – 05.06.2007)

 ---------------------

Miqtë tanë të Perëndimit gjatë këtij dhjetëvjetëshit të fundit, sa herë që na u dha rasti të bisedojmë për problemet tona të mëdha, posa bëmë përpjekje që ta paraqesim gjenezën e çështjes shqiptare, në përgjithësi, ose të problemit të Kosovës, në veçanti, pothuajse vazhdimisht, si në kor, na këshilluan: “Mos u merrni me histori, harrojeni atë që ka kaluar, shikoni përpara drejt ardhmërisë!

Dhe ne do të dëshironim sinqerisht të mos merreshim më me të kaluarën, të harronim shumëçka nga historia jonë e përgjakshme. Por, fatkeqësisht, nuk kemi mundësi. Jo vetëm pse, më në fund, si të gjithë popujt e kësaj bote, dëshirojmë që të rrahim gjoks për të kaluarën tonë të lavdishme, jo pse do të dëshironim që ta ngrinim krenarinë kombëtare dhe t’iu tregojmë brezave të sotëm se çfarë kanë qenë të parët tanë, çfarë heroizmash ka bërë ky popull, por sepse duhet të thuhet haptas se historia jonë, objektivisht, nuk mund të harrohet, sepse ajo përsëritet vazhdimisht.

Historia e shqiptarëve tash më shumë se 125 vjet, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, riciklohet. Bashkë me të ripërtërihen pjesëmarrësit e jashtëm të historisë sonë ose gishtat e tyre që në vazhdimësi i prekin çështjet më të ndjeshme të ndodhive tona historike.

Ne sinqerisht do të dëshironim që të harrohen masakrat që u bënë ndaj popullit tonë, siç është ajo e Manastirit më 1830, kur në pabesi u vranë më shumë se tetëqind burra të zgjedhur, kur u pre koka  e udhëheqjes shqiptare, mu në kohën kur sunduesit e huaj planifikonin reformat me të cilat do ta disiplinonin popullin tonë.

Ne do të dëshironim që të harrohet gjenocidi i pashembullt kund në këtë botë që e bëri Serbia kundër popullsisë shqiptare të Sanxhakut të Nishit në vitet 1877-78, kur shpërnguli me dhunë më shumë se 250 mijë banorë nga 600 vendbanime me popullsi shqiptare…Do të dëshironim sinqerisht që të harrohen masakrat e vitit 1912, kur pushtuesit sllavo-ortodoks përgjakën anë e kënd Kosovën dhe viset e tjera shqiptare. Ne sinqerisht do të dëshironim t’i harrojmë edhe masakrat e mëvonshme, siç janë ato të Tivarit  më 1945, ku mbi katërmijë varre të djalërisë shqiptare nuk janë gjetur kurrë, edhe pse krimi u bë në pikë të ditës në prani edhe të përfaqësuesve të aleatëve të mëdhenj antifashistë.

Në historinë tonë, sikur jemi të gjykuar që çdo të keqe ta përjetojmë nga dy - tri e deri edhe me dhjetëra herë. Te ne çdo gjë përsëritet. Tash vonë, para katër-pesë vjetësh i përjetuam masakrat më të reja në të gjitha viset e Kosovës. I kemi ende të pavarrosur ata që u bartën për së vdekuri a për së gjalli në Serbi, që u hodhën me frigorifer në ujërat e Danubit, që u groposën nëpër greminat e Banjicës, të Gjerdapit e të Batajnicës e kush e di ku tjetër.

Ne do të dëshironim që t’i harrojmë edhe gërshërët e ndryshkura që e prenë hartën e atdheut tonë, që i copëtuan trojet tona, gërshërët e kongreseve, të komisioneve e të konferencave: të Shën Stefanit, të  Berlinit, të Londrës e të Parisit, pastaj ato të  Jaltave e të Maltave, e deri tek Dejtoni e Rambujeja, që ndanë nga trungu më shumë se tri të katërtat e territorit tonë etnik e historik. Por, këto gërshërë të përgjakura me gjakun dhe mishin tonë, po presin edhe sot…Edhe sot e kësaj dite ne shqiptarët kemi mbetur të ndarë në pesë – gjashtë “vilajete” dhe brenda territoreve tona, për turp të qytetërimit evropian, jemi të detyruar të udhëtojmë me viza (?!)

Ne do të dëshironim t’i harrojmë kokat e prera të kryengritësve tanë që dërgoheshin deri në qendër të Perandorisë për t’u ekspozuar në sheshet më të frekuentuara, ne do të dëshironim të mos i rikujtojmë helmimet e fshehta dhe vrasjet tinëzare të arsimuesve tanë të parë e as internimet e atyre që deshën ta sjellin ndër ne frymën e iluminizmit dhe demokracisë evropiane. Ne me kënaqësi do të dëshironim t’i harrojmë gjyqet dhe trekëmbëshat mbi të cilët janë varë luftëtarët antifashistë kudo në viset shqiptare, gjyqet ushtarake e civile që i pushkatonin “në emër të popullit” “nacionalistët” dhe “internacionalistët” tanë pas Luftës së Dytë Botërore. Po cili shqiptar do të kishte dëshirë që t’i rikujtonte gjyqet  policore që dënuan me mijëra vjet burg gati  një të tretën e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera të akuzuar për irredentizëm, për nacionalizëm e për “izma” të tjera, që vetëm makina propagandistike e UDB-së jugosllave dinte t’i prodhonte?!

Jemi të detyruar ta pohojmë vetëm të vërtetën, ne nuk mund të harrojmë asgjë nga e kaluara, sepse ajo po na përsëritet vazhdimisht, pothuajse në forma të njëjta. Masakrat e Manastirit, u ripërtërirën në ato të Shkupit, pastaj më vonë në ato të Tivarit.

Në fundshekullin XX çdo gjë sikur u riciklua dhe kështu kriminelët u shumëfishuan dhe masakrat vazhduan në Likoshan e në Prekaz, në Reçak e në Pashtrik, në Izbicë e në Mejë të Gjakovës, në Therandë e në Krushë të Vogël, në Korishë e në Rugovë të Hasit dhe në shumë vise të Kosovës, në të cilat e pësuan më shumë së 12 mijë qytetarë të pafajshëm.

Ne deshëm sinqerisht t’i harrojmë epokat tona para gjyqeve të historisë. Por, ja, që edhe gjyqet, ashtu siç vepruan gjithnjë kur shqiptarët u ngritën në këmbë që të luftojnë për lirinë e tyre, po veprojnë edhe sot. Në ato “banka të zeza” të gjykatave në të cilat gjyqtarët e Serbisë shqiptuan me mijëra vjet burg për rininë shqiptare, sot janë ulur që të dënohen përsëri po ata njerëz që ishin dënuar më parë.

Pra, le të dihet botërisht se ne nuk u bëmë ashtu siç dëshiruan ata, sepse e keqja, që nuk na u nda kurrë, ajo u bë histori për ne. Midis të kaluarës dhe së ardhmes për ne ishte vënë shenja e barazimit, prandaj e keqja ripërtërihet vazhdimisht dhe ne nuk patëm mundësi t’i harrojmë të këqijat që na ranë në kokë gjatë shekujve të robërisë. E keqja nuk harrohet lehtë, prandaj këshillat tuaja që të mos merremi me të kaluarën, edhe pse janë shumë qëllimmira, nuk do të kenë efekte. Prandaj, që t’i pritet hovi së keqes sonë të vazhdueshme,  do të ishte mirë që edhe ju të mësoni sadopak nga historia jonë. Një rast i mirë edhe për ju do të ishte përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me të cilin shënohen përpjekjet tona 125-vjeçare për ta mbrojtur të drejtën tonë që të jetojmë të lirë, të bashkuar dhe të barabartë me të gjithë popujt e Ballkanit, me të cilët ne gjatë gjithë historisë jemi përpjekur t’i kultivojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Nga përvoja e ngjarjeve të mëdha të Krizës Lindore të mësojmë së bashku, sepse historia na mëson ta themi të vërtetën: në të gjitha këto ngatërrime e ndërlikime ishte edhe dora e fuqive evropiane, që fatkeqësisht në disa segmente po vepron edhe sot. Prandaj, sot, kur jemi kaq pranë njëri-tjetrit, kur të gjithë ëndërrojmë për një Evropë të bashkuar e të qytetëruar, jemi të detyruar që ta dimë edhe historinë, sepse ajo e hap rrugën drejt ardhmërisë. Ajo, kanë thënë latinët e moçëm, “është mësuese e jetës”.

 (Shkruar me rastin e 125-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit –  09. VI. 2003)

 ------------------------

Kush e shpiku multietnicitetin e Kosovës?!

“MULTIETNICITETI” - DUKURI E PËRGJITHSHME APO “SPECIFIKË” E KOSOVËS?!

Shkruan. Dr. Sadri FETIU, Prishtinë

(www.pashtriku.org – 31.05.2007)

Midis shumë “epiteteve”, të cilat, për qëllime të ndryshme, kryesisht politike, i viheshin Kosovës në të kaluarën, njëri ka mbetur i pamposhtshëm dhe tash është përvetësuar me oreks edhe nga të huajt, që sot si UNMIK e qeverisin Kosovën. Ai epitet është “multietniciteti”.

Dikujt mund t’i duket se është një epitet i thjeshtë dhe pa ndonjë vlerë të veçantë, por në thelb përmban një fshehtësi (prapaskenë) shumë të rrezikshme për të ardhmen e shqiptarëve si popullsi shumicë që e përcakton edhe identitetin shtetëror të Kosovës.

Edhe pse dihet fare mirë se popullsia e Kosovës, e cila që nga koha e pushtimit të saj nga Serbia dhe Mali i Zi , më 1912, ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite mbi 90 % të popullsisë shqiptare, Kosova që dikur ishte “Stara Serbi”, “tokë e shenjtë serbe” (!?),  pastaj “vatër e kultivimit të vëllazërimit e të bashkimit midis kombeve dhe kombësive”, “Jugosllavi në miniaturë”, “shpirt dhe zemër e Serbisë pravosllave”(?!) e të tjera, sot ka mbetur e cilësuar nga UNMIK-u si “territor multietnik”.

Së pari do të theksojmë se territori verior shqiptar vetëm brenda periudhës që lidhet me të ashtuquajturën “Krizë lindore”, që nga koha jonë nuk e kalon kufirin e 130 vjetëve, është përgjysmuar, sepse Serbia ka pushtuar me dhunë viset  shqiptare të Sanxhakut të Nishit: Toplicën, Kosanicën, Pustarekën, Vaganicën, Jablanicën e të tjera dhe ka dëbuar mbi 250 mijë shqiptarë nga ato vise. Krejt kjo dhunë gjenocidale është përligjur nga faktori ndërkombëtar evropian me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) dhe me të gjitha vendimet e mëvonshme.

Më 1912 Kosova dhe viset e tjera shqiptare janë pushtuar dhe një pjesë e madhe e popullsisë së saj është masakruar në mënyrën më të tmerrshme. Ata që kanë mbetur gjallë, më shumë së 200 mijë frymë, u detyruan të shpërngulen. Edhe kjo dhunë është përligjur nga faktori ndërkombëtar me vendimet e Konferencës së Londrës (1913).

 Më vonë, gjatë sundimit të Jugosllavisë monarkiste, në bazë të konventave të nënshkruara me Turqinë, janë shpërngulur më shumë se 400 mijë shqiptarë. Historia ka dëshmuar se nga Kosova, që edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe me bekimin e faktorëve ndërkombëtarë, Konferencës së Paqes në Paris (1945), kundër vullnetit të popullit shqiptar, të shprehur në Konferencën e Bunjajt, ka mbetur nën sundimin e Serbisë rankoviqiane e titiste, janë shpërngulur me dhunë vetëm për në Turqi më shumë se 400 mijë shqiptarë. 

Të gjitha këto nuk janë “fantazi nacionaliste” e nxitur nga paragjykimet mitike, por fakte të dokumentuara historikisht, që i dëshmojnë edhe dokumentet serbe që nga Naçertania e Garashaninit, programi i Vasa Çubrilloviqit, ai i nobelistit serb, Ivo Andiqit etj. Edhe për kolonizimin e Kosovës me serbë e malazias dhe sllavë të tjerë nga Hercegovina, dihet botërisht,  madje janë shkruar edhe vepra të veçanta shkencore edhe nga vetë autorët serbë, siç është, fjala vjen, Obradoviqi.

Pra, le të dihet botërisht se me qëllim që të pakësohet popullsia shqiptare dhe të shtohet ajo sllave, në mënyrë sistematike, nga Kosova janë dëbuar shqiptarët dhe janë zbatuar planet e veçanta shtetërore për kolonizimin e saj me popullsi serbo-malaziase. Por, megjithatë, këtu përqindja e popullsisë shqiptare në të gjitha periudhat ka mbetur e lartë, midis 90 – 95 për qind. Prandaj, nuk do të them vetëm unë, por e thonë vetë faktet se Kosova është vend i banuar, historikisht dhe aktualisht, me popullsi shqiptare.

Në bazë të të gjithë parametrave që shërbejnë për përcaktimet gjeografike të kësaj natyre, Kosova është tokë shqiptare. Tekefundit, nuk duhet ta harrojmë edhe atë konstatimin e lashtë biblik se “livadhi është i atij që i ka dhentë”.

Të kuptohemi, edhe në Kosovë, që në krye të herëve, që kur kanë filluar migrimet e ndryshme të popullsisë, me të cilat merret dituria e demografisë, jetojnë edhe pjesëtarë të minoriteteve të ndryshme, kuptohet midis tyre edhe serbët vendës. Ata si pakicë, me plot kuptimin e kësaj fjale, jetojnë në Kosovë që nga periudha mesjetare. Gjatë sundimit turk janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, si “raja”, por, në sajë të përkujdesjes së Rusisë për ta, i kanë gëzuar edhe shumë privilegje, sidomos në planin fetar dhe kulturor.

Kuptohet se edhe në Kosovë, tekefundit, si në të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Evropës, jetojnë pjesëtarë të minoriteteve të ndryshme. Por, unë i përmenda me emër vetëm serbët, sepse  vetëm  çështja e tyre është problematike. Me gjasë vetëm për shkak të serbëve dhe të sundimit shekullor të Serbisë në këto vise, Kosova është e detyruar ta mbajë edhe sot e kësaj dite mbi kurrizin e vet barrën e rrezikshme të epitetit “multietnike”, të cilin Serbia me kohë e ka planifikuar si lak në qafën e shqiptarëve, për ta penguar zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre kombëtare.

Në të gjitha vendet e kësaj bote, duke filluar nga Amerika e deri tek Australia, bashkë me popujt shumicë, jetojnë edhe pjesëtarët e minoriteteve të ndryshme. Konsiderohet se në botën e sotme, për shkak të zhvillimeve të caktuara demografike dhe historike, nuk ka asnjë shtet në të cilin nuk jetojnë edhe banorët që u përkasin kombeve dhe etnive të ndryshme. Pra, nuk paska shtet pa minoritete ose pakica kombëtare, siç i quanim dikur! Në disa shtete të mëdha të Evropës, që njihen tradicionalisht si shtete nacionale, si bie fjala: Anglia, Gjermania, Franca, Italia, etj.,  bashkë me popullsinë shumicë, jetojnë si minoritete shumë pjesëtarë të kombeve të tjera. Disa nga këto, madje, kanë një numër qytetarësh, kuptohet me të gjitha të drejtat e garantuara qytetare e njerëzore  për minoritetet në bazë të normave ndërkombëtare. Përqindja e popullsisë që e përcakton kuptimin e tyre shtetëror, pra, e popullsisë së kombit përcaktues të kuptimit të shtetit e jo të kombit-shtet, që konsiderohet sot si kategori e tejkaluar,  në krahasim me pjesëtarët e minoriteteve, në të gjitha këto vende, është, madje, më e vogël se ajo e shqiptarëve në Kosovë. Mirëpo, deri më sot nuk kam hasur askund që dikush, Anglinë, Francën, apo Gjermaninë, ta konsiderojë si vend multietnik, ashtu siç konsiderohet Kosova nga administratorët e këtyre vendeve të Evropës, që janë në krye të UNMIK-ut, në të cilën shqiptarët përbëjnë më shumë së 90 për qind të popullsisë.

Nuk dua ta lodh lexuesin me të dhëna statistikore, por le të dihet botërisht se edhe vendet fqinje ballkanike, që konsiderohen shtete nacionale, si, bie fjala: Rumania, Bullgaria, Turqia, Serbia, Greqia, Mali i Zi, etj., brenda popullsisë së tyre kanë përqindje më të lartë të minoriteteve sesa Kosova, por deri më sot, ato, askush nuk i ka quajtur shtete “multietnike”.

Në bazë të kësaj që u tha më lart, del se “multietniciteti” na qenka një veçori “specifike” vetëm për Kosovën!? Pse Kosova e gjorë, u dashka ta bartë edhe këtë barrë?! Kush ia ngarkoi asaj edhe këtë problem?! Kush ia ngjiti këtë të paqenë? Kush ia qiti këtë “bidat”?!…

Po kush, pos robërisë shekullore të Serbisë? Serbia bashkë me Jugosllavinë, për ta mbajtur sa më gjatë sundimin në Kosovë, së pari e quajti Stara Serbi (?!) e pastaj gradualisht e zbuti në Kosovë e Metohi, (!?), ku jetojnë në “bratstvo i jedinstvo” të gjitha kombet dhe kombësitë. Dhe Serbia pasi e shtoi me sa mundi numrin e serbëve e malaziasve të ardhur si ushtarakë, policë e agjentë, nëpunës, administratorë, kuadro profesionalë – teknikë, si edhe kolonë të thjeshtë të vendosur në fshatrat me toka më pjellore të Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit, u kujdes që ta kultivojë edhe “kopshtin e minoriteteve”, duke krijuar edhe kombësi të reja, së pari, duke i pjesëtuar “ciganët” e njohur kudo në Evropë në: “hashkali”, “romë”, “egjiptas” “garaganë” etj. Pastaj, në dëm të shqiptarëve, duke ushtruar dhunë mbi ta, i “kultivoi” me kujdes të veçantë “turqit”, “myslimanët”, “boshnjakët”, “goranët” etj. Serbia punoi bukur shumë edhe për “pjesëtimin” e shqiptarëve në: “kosovarë” e “shqiptarë”, në “shiptari” dhe “albanci”, që fatkeqësisht tash vonë ka shenja se do të ketë edhe rezultate, sepse midis vetë shqiptarëve po punohet me shumë përkushtim për ta krijuar kombin e ri “kosovar”, sepse ndoshta, siç besojnë të gjorët, kështu do ta fitojnë edhe “formalisht” pavarësinë dhe do të lirohen njëherë e përgjithmonë nga “barra nacionaliste” e bashkimit kombëtar(?!).

Kështu Kosova, në sajë të kujdesit të madh të Serbisë dhe të Jugosllavisë, për zhvillimin e saj të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror, u bë “krahinë multietnike”, që duhej të shërbente si shembulli më i mirë për zgjidhjen e çështjes nacionale (!?) në kushtet e sundimit të egër sllavo-komunist të periudhës rankoviqiane dhe asaj millosheviqiane!?

Pra, le të dihet qartë se “multietniciteti” na qenka një veçori “specifike”, një “bidat” vetëm për Kosovën (?!), të cilën e paska kodifikuar njëherë e përgjithmonë sundimi sllav në Kosovë!? Këtë bidat, ashtu si edhe shumë, të ndajmbathura e  të  paqena,   të tjera, i paska pranuar duarhapur administrata e UNMIK-ut, për ta bërë më të lehtë zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Ndërkaq, politikanët shqiptarë, të rinj e të vjetër, ndoshta në bazë të inercionit, ose duke qenë të angazhuar për “çështje të mëdha”, si, bie fjala, stabiliteti i rajonit, sepse shqiptarët e ndarë në katër - pesë shtete do të shërbyekan si llaç fort i mirë për çimentimin e këtij stabiliteti (?!) ose duke u marrë aktivisht me evropeizimin e popullit të tyre, as që kanë pasur kohë të mendojnë për këtë problem !?

Të përfundojmë, pa keqkuptim: multietniciteti i Kosovës, të cilin Serbia e Jugosllavia e kanë planifikuar me kohë për ta ruajtur ndikimin e tyre mbi viset jugore, pra, për ta bërë të përjetshëm sundimin e tyre në Kosovë, siç po shihet edhe tash në projekt-kushtetutat e tyre më të reja, dhe çështja e të drejtave të minoriteteve, të garantuara me norma ndërkombëtare, janë dy çështje të ndryshme. Por, për këtë do të shkruajmë në ndonjë rast tjetër… (5. I. 2004)

Kthehu ne fillim

 ------------------------------------

 MULTIETNICITETI SHTETËROR - EKSPERIMENT I DËSHTUAR

 

Shkruan: Dr. Sadri FETIU, Prishtinë (28. V. 2004)

(www.pashtriku.org – 24.05.2007)

-PSE DUHET T’I THUHET “JO” MODELIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT -

Ndonëse nuk kam njohuri  të mjaftueshme se si e arsyetoi  qëndrimin e tij z. Hashim Thaçi lidhur me zbatimin e të ashtuquajturës “Marrëveshje e Ohrit” edhe për zgjidhjen e problemit të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, do të përpiqem që me argumente ta kundërshtoj një propozim të këtillë, që është thelbësisht  i gabueshëm. Pa hyrë në analiza më të hollësishme, çështje këto që u përkasin profesionistëve, pikëpamjet e mia do t’i bazoj kryesisht në argumentet logjike dhe në praktikën e deritashme ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve të  ngjashme.

Në këtë rast nuk kam dëshirë që të keqkuptohem, sepse duke kundërshtuar pikëpamjet e z. Thaçi lidhur me këtë problem, nuk do të thotë kurrsesi se do t’i përkrah ata që nuk janë pajtuar me mendimet e tij. Thënë më qartë, shkrimi im nuk ka qëllime pragmatike politike, por çështjen e shikon nga një këndvështrim  i veçantë.  Jam i vetëdijshëm se shumë nga “politikanët” dhe “analistët” tanë midehollë qëndrimet e mia do t’i konsiderojnë si “të tejkaluara” dhe “anakronike”, sepse nuk do të përputhen me konceptet e tyre “moderne” për të ashtuquajturin mondializëm apo globalizëm të botës bashkëkohore. Mirëpo, atyre duhet t’iu thuhet qartë se edhe vetë koncepti i kombit, pastaj edhe i shtetit dhe i organizimit shtetëror sot për shumëkënd është “i tejkaluar” dhe  “anakronik”, por megjithatë, kombi e shteti ekziston dhe vepron, kur dihet fare mirë se të gjitha organizimet regjionale e ndërkombëtare në Evropë dhe në botë sot kushtëzohen nga vetë shtetet ekzistuese të botës bashkëkohore.

Së pari, e ashtuquajtura “Marrëveshje e Ohrit” është një eksperiment që, për shkaqe të veçanta gjeopolitike me rëndësi për mbarë Evropën Juglindore, të krijohet një shtet i ri multietnik, ose thënë më qartë, një shtet i dy etnive të ndryshme. Për ta penguar luftën e armatosur bashkësia ndërkombëtare ka ndërhyrë, prandaj Maqedonia është në fazën eksperimentale, ku provohet bashkësia dyetnike ndërmjet sllavo-maqedonasve, që janë komb i ri, i krijuar në rrethana të veçanta gjeopolitike dhe historike të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe shqiptarëve të atjeshëm prej të cilëve, në kushtet e sotme, nuk ka as gjasa teorike që të krijohet kombi i ri. Prandaj, është krejt e logjikshme se një “zgjidhje” e këtillë, mjaft komplekse, nuk mund të merret për model, sepse nuk ý ka dhënë ende rezultatet e pritura. Me gjithë pozitën e veçantë gjeopolitike të Maqedonisë, se a do të ketë sukses ky eksperiment për qëndrueshmërinë e këtij shteti, varet nga shumë faktorë. Duke u mbështetur në rrjedhat e deritashme dhe përgjithësisht në traditën historike të Ballkanit, shumëkush dyshon lidhur me përpjekjet e këtilla për të krijuar shtete multietnike, si bie fjala Maqedonia, apo Bosnja e Hercegovina, që edhe në të kaluarën kanë pasur predispozita për diçka të këtillë.  Duhet të thuhet qartë se eksperimentale është edhe e ashtuquajtura “krijesë e Sollanës”, Unioni Serbi – Mali ý Zi, që nuk është as federatë e as konfederatë, por një hibrid i padefinuar. Sado që dallimet etnike ndërmjet serbo-malaziasve nuk janë shumë të hetueshme, edhe kjo krijesë “multietnike” është e përkohshme  dhe vështirë se mund t’i përballojë kohës.

Sa i përket Kosovës, për të, siç e kam thënë edhe më parë në një shkrim më të gjatë të botuar në këtë gazetë, është jologjike të thuhet se është vend multietnik. Të gjithë parametrat etnikë të përqindjes së popullsisë shqiptare në Kosovë e përcaktojnë këtë si vend etnikisht i përcaktuar qartë ose si territor që duhet të bashkohet  me tërësinë e vet etnike, nga e cila është ndarë në mënyrë të dhunshme. Kur është çështja e bashkimit kombëtar, të cilën “midehollët” e politikës sonë të mjerë do ta quanin anakronizëm, ekstremizëm, apo me ndonjë emër edhe më të vështirë, edhe pse në sytë e të gjithë botës u bë bashkimi i dy Gjermanive dhe vazhdojnë tendencat për ribashkimin e dy Kinave e, madje, edhe te dy Koreve etj.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve, krijimi i shtetit unik mbi baza etnike, në kushtet e sotme, vërtet, do të dukej si një kërkesë e tepruar, që ndoshta nuk është oportune për politikën  ditore as të përmendet, por  si e vërtetë e argumentuar shkencërisht është domosdoshmëri historike, e cila nuk guxon të përjashtohet kurrsesi. Procesi i bashkimit mbi baza etnike është i pashmangshëm brenda proceseve të integrimeve më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare për të cilat po angazhohet politika bashkëkohore, prandaj ne, shqiptarët, nuk kemi asnjë arsye të heqim dorë, por përkundrazi duhet të veprojmë për ta shpejtuar ecurinë normale të këtyre rrjedhave. Për këtë qëllim duhet t’u thuhet prerazi “ndal” të gjithë donkishotëve të politikës së sotme shqiptare, që, duke shpresuar se kështu edhe formalisht do ta bëjnë të pavarur Kosovën, janë duke “punuar” me zell për ta krijuar melodinë e himnit, pamjen e flamurit, e tash vonë, edhe “platformën akademike” për “gjuhën kosovare”, që një zot e di se a do të quhet dardanishte apo pangegnishte(?!)

Praktikat e deritashme të shteteve multienike kanë dështuar. Madje është pikëpyetje se a ka në të vërtetë shtete  të mirëfillta multietnike  në Evropë. Ato që u përpoqën të jenë të këtilla, në format e organizimit  shtetëror federativ ose konfederativ, sot nuk janë më. Nuk është as Çekosllovakia, as Jugosllavia e as Bashkimi Sovjetik (?!). Praktika ka treguar se shtetet e këtilla nuk mund te ekzistojnë. Edhe valonët dhe flamanët e Belgjikës (shtet me demokraci të zhvilluar), që ende nuk janë ndarë me marrëveshje paqësore, sepse nuk kanë kushte të volitshme gjeografike, nuk janë shumë të kënaqur që janë bashkë, e madje, mund të thuhet se gjithnjë e më tepër janë vetëm pranë njëri-tjetrit e jo edhe bashkë.

Sa i përket disa organizimeve shtetërore me rrënjë më të thella historike, siç është, bie fjala, Mbretëria e Bashkuar (Anglia), Mbretëria Spanjolle e ndonjë tjetër si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja etj., në këto vende procesi i bashkimit të etnive ka krijuar kuptime të veçanta në aspektet më të gjera kombëtare dhe ndërkombëtare, ose ka krijuar kuptime të kombeve të reja, që identifikohen me vetë shtetin, siç është rasti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku procesi i krijimit të kombit amerikan ka vepruar në bazë të parimit të njohur të “enës për shkrirje”. Procesi i këtillë i krijimit të kombeve ka qenë i pamundshëm në disa vende, edhe pse ka pasur tentime për të krijuar kombe të reja në bazë të bashkimit apo të shkrirjes së strukturave të mëparshme etnike, siç është fjala me përpjekjet për ta krijuar kombin jugosllav gjatë ekzistimit të Jugosllavisë titiste.

Praktika e deritashme ka treguar se ka vende në të cilat jetojnë pjesëtarët e etnive të ndryshme, ka shoqëri të ashtuquajtura multietnike, por identifikimi i shtetit bëhet në bazë të kombit shumicë, prandaj edhe mund të thuhet se nuk ekzistojnë shtetet multietnike, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Duhet të kuptohet qartë se këtu nuk është fjala për të drejtat e minoriteteve, sepse kjo çështje është krejt e veçantë dhe askush nuk ka ndërmend t’ua mohojë të drejtat e tyre të garantuara me normat e përgjithshme ndërkombëtare.

Prandaj, çështja e të ashtuquajturit multietnicitet shtetëror, që nënkupton vendimmarrjen për të gjitha çështjet e rëndësishme me konsensus të përfaqësuesve të komuniteteve etnike, të provuar dhe të garantuar me norma ndërkombëtare, në të gjitha praktikat e deritashme është dëshmuar si faktor frenues i zhvillimit dhe i përparimit të përgjithshëm ekonomik e shoqëror të një vendi. Ky faktor bëhet edhe më i dëmshëm në rrethanat e veçanta të mentalitetit mitik, i cili mbizotëron gjenetikisht te disa nga popujt sllavë, në mënyrë të veçantë te serbët, që veten, ende, edhe në shekullin XXI, e mendojnë si “popull hyjnor e qiellor”, me të drejta të veçanta që ta kenë “zemrën”,  “shpirtin” dhe  “Jerusalemin e tyre” brenda territorit që gjithnjë gjatë shekujve, por edhe aktualisht, ka qenë shqiptar me shumicën e kualifikueshme prej 95 për qind të popullsisë. Këtë territor, Serbia gjatë gati një shekulli është munduar, me të gjitha mënyrat e dhunshme, ta kolonizojë me serbë e malazias, por nuk ia ka arritur.

Mund të thuhet se të vetmet vende multientike të Evropës janë Zvicra dhe Luksemburgu. Por, modeli i Zvicrës ka disa veçanti karakteristike, që nuk mund të zbatohen në vende të tjera. Zvicra, njësoj si edhe Luksemburgu, ka një pozitë të veçantë gjeografike dhe gjeopolitike, të cilën nuk e kanë vendet e tjera. Modeli konfederativ ý Zvicrës është krijuar në rrethana të veçanta historike, të cilat janë të papërsëritshme në vendet e tjera. Tek e fundit brenda “decentralizimeve rajonale” të Zvicrës veprojnë kantonet e veçanta, si struktura shtetërore me rrënjë të thella në të kaluarën, që janë të pazbatueshme për vendet e tjera.

Është shumë e qartë se, si për Kosovën, ashtu edhe për Maqedoninë, kantonizimi është i papranueshëm. Këtë e kanë deklaruar edhe faktorët politiko-ushtarakë të Kombeve të Bashkuara, që janë të pranishëm brenda këtij regjioni në funksionin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Shikuar në përgjithësi, përpjekjet e deritashme të UNMIK-ut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bazë të projekteve të krijimit të një  strukture të shoqërisë dhe të një “organizimi pushtetor multietnik” në bazë të Rezolutës 1244 dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare, që e njohin tash për tash vetëm  të ashtuquajturën “autonomi substanciale të Kosovës”, kanë dështuar. Për këtë dështim të plotë, që u provua edhe me vetë protestat e 17 dhe 18 marsit 2004, së pari është shkaktare qasja e gabuar politike e UNMIK-ut, që, siç shihet nga praktika e veprimeve të deritashme, nuk dëshiron zgjidhje reale të problemit të Kosovës dhe nuk ka ndërmarrë masa adekuate që shpijnë kah zgjidhja e drejtë dhe e përhershme e çështjeve themelore që kanë të bëjnë me të drejtat e popujve për liri dhe vetëvendosje, por kanë krijuar kushte për veprimin e strukturave paralele të pushtetit të Serbisë brenda Kosovës. Edhe Serbia, sipas të gjitha gjasave, nuk ka nxjerrë asnjë mësim të dobishëm nga ngjarjet  e vitit 1999. Përkundrazi, me gjasë  e përkrahur edhe nga disa faktorë evropianë, vazhdon politikën që e çoi në theqafje regjimin e Millosheviqit: vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor nën sovranitetin e saj shtetëror.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, që u thanë më parë, duhet t’i thuhet me plot gojën “jo” modelit të marrëveshjes së Ohrit, ashtu siç duhet t’i thuhet “jo” edhe “shtetit multietnik” të Kosovës dhe të gjitha eksperimenteve të tjera që disa struktura të bashkësisë ndërkombëtare përpiqen t’ua imponojnë popujve, sidomos  atyre të ish Jugosllavisë federative, në vend të së drejtës së tyre të patjetërsueshme për vetëvendosje, që ua garanton Karta e Kombeve të Bashkuara. Duhet të dihet njëherë e mirë nga të gjitha partitë tona, pa marrë parasysh orientimet e tyre, se të gjitha eksperimentet e ndryshme të zgjidhjes së çështjes së Kosovës çojnë ujë në mullirin e statuskuosë, apo të “implementimit” të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën “autonomi substanciale” nën sovranitetin e Serbisë. Prandaj, në qoftë se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të pushtuara me Luftën Ballkanike të vitit 1912, historikisht dhe aktualisht, kanë kërkuar të drejtën e vetëvendosjes, atëherë as sot nuk kanë arsye t’i pranojnë, e aq më keq edhe t’i kërkojnë vetë, “zgjidhjet” e tjera  dhe të bëhen objekt i eksperimentimeve të mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë. Prandaj, zgjidhja e drejtë e çështjes  është fort e qartë - vetëvendosja e shqiptarëve. Dhe ajo një ditë do të dalë në sipërfaqe dhe shqiptarët, duke vepruar brenda ecurive të përgjithshme zhvillimore, që nuk janë në kundërshtim me integrimet e natyrshme brendakombëtare të realizuara me mjete paqësore, do të vendosin, kuptohet duke i matur mirë jo vetëm interesat e tyre, por edhe rrethanat e përgjithshme të zhvillimeve rajonale dhe evropiane, se a do të jetojnë në dy shtete (Kosovë e Shqipëri) apo në Shqipërinë e Bashkuar, që historikisht, etnikisht e psikologjikisht ekziston në vetëdijen e të gjithë shqiptarëve normalë. Në qoftë se shqiptarët do të dinë të punojnë si duhet dhe nuk do t’i pranojnë eksperimentet me ta, por do t’i ndjekin rrjedhat normale të zhvillimeve të gjithmbarshme shoqërore të botës së sotme, gjasat për një Shqipëri të Bashkuar do të jenë, në të ardhmen, gjithnjë e më të mëdha brenda integrimeve ndërkombëtare, që tashmë kanë bërë hapa të sigurt drejt Evropës së bashkuar veriatlantike. (28. V. 2004)

Kthehu ne fillim

------------------------

Kur “qulli” i UNMIK-ut që shtohet me “pak miell e pak ujë”, në “kazanin

e Kosovës” nuk derdhet!

“FORUMI” – VAZHDIM I “LOJËS ME GUXHA” BRENDA RRETHIT VICIOZ

Shkruan: Dr.Sadri FETIU

Prishtinë, (4. V. 2005)

Mund të thuhet lirisht se “loja” e filluar nga ndërkombëtarët për ta gjetur një zgjidhje “optimale” të fatit të Kosovës po vazhdon me sukses të plotë. Rezultat i kësaj “loje”, pas të gjitha veprimeve të tjera në të cilat vendorët (kupto shqiptarët) po i grahin “guxhës”, pa ditur se ku e si do të përfundojë, tash vonë është edhe krijimi i një “forumi demokratik”(lexo:”Grupi iUnitetit”- vërejtja ime), i cili do të bëhet “faktor gjithëpërfshirës” i bashkimit të forcave politike për çështjet e mëdha (?!), ndihmesë e veçantë për institucionet administrative, demokratike, pluraliste, multietnike të Kosovës, e sidomos për faktorin ndërkombëtar.

***

Idenë “shpëtimtare” dhe formën e veprimit për këtë organizëm të ri në Kosovë, kush do ta lansonte tjetër, pos njeriut më përgjegjës, kryeadministratorit, njeriut të parë të UNMIK-ut, z. Petersen. Dhe “vendorët pushtetmbajtës”, që janë mësuar t’i presin me lepe-peqe të gjitha që vijnë nga ndërkombëtarët – shpëtimtarët – tanë, e pranuan duarhapur këtë propozim, ndonëse kanë pak rezerva rreth asaj se a duhet të jetë ky organ vendimmarrës apo këshillëdhënës (?!). Kështu “qullit”, të krijuar tash gjashtë vjet nga UNMIK-u, do t’i shtohet edhe “pak miell e pak ujë”, por “kazani i Kosovës” është i madh dhe do të shkojë edhe shumë kohë dhe nuk do të derdhet. Zaten, këto “punë” i kanë studiuar me kujdes dhe i dinë shumë mirë ndërkombëtarët, prandaj loja me ne do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.

Këso lojërash ka luajtur në të kaluarën edhe vetë “paria jonë”, duke krijuar “komisione”, “forume” e “këshilla koordinuese” të partive në nivele të ndryshme e forma të tjera të organizimit “gjithëpërfshirës”, sa për ta kaluar kohën, mu atëherë kur kishim nevojë për organizime serioze në rrethanat e luftës çlirimtare të UÇK-së. Duke i pasur parasysh të gjitha ato që kanë ndodhur deri tash, mund të thuhet lirisht se edhe faktori ndërkombëtar në përpjekjet e veta për ta realizuar planin e vet, bashkë me “multietnicitetin”, “standardet”, “decentralizimin”, “plotësimin e detyrimeve ndaj Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, ku janë bërë bashkë kriminelët dhe viktimat, plotësimin e premtimeve për “t’ua dorëzuar pushtetin vendorëve”, duke themeluar ministri të reja për drejtësinë, rendin publik etj., ka vendosur të zbulojë dhe të rizbulojë forma të reja të lojës për “ta argëtuar sa më mirë popullin tonë”. Dhe populli, dorën në zemër, e meriton këtë “shpërblim”, sepse me sjelljen e vet të deritashme ka dhënë dëshmi të pakontestueshme se është kampion i durimit dhe i besimit të patundur në “progresin permanent“ për të cilin po flasin vazhdimisht figurat qendrore të “pushtetarëve” vendorë, që janë stërlodhur duke i premtuar “pavarësi që do ta qetësonte rajonin”(?!), ardhmëri të lumtur e demokratike në Evropën e Bashkuar dhe “në miqësi permanente me SHBA-në”.

Kështu, duhet të thuhet zëshëm se me lojën e kombinuar midis “hokejit në bar” dhe “guxhave”, d.m.th. midis politikës evropiane dhe asaj vendore, populli i Kosovës është futur brenda rrethit magjik dhe nuk ka shans që të dalë nga ky rreth derisa të ketë “politikanë të mençur” ndërkombëtarë e vendorë, që dinë ta bëjnë lojën në kurriz të tij. Megjithatë, në këtë lojë ka dy palë: ndërkombëtarët, që kanë zënë “xhuxhin” (kazanin) dhe të gjitha vrimat e tjera, birat e “guxhave”, dhe vendorët, që janë duke i grahur “guçkës” (?!) Të gjithë ata, nga brezi më i vjetër që kanë pasur fat të luajnë “guxhas”, kur kanë qenë të rinj, e dinë mirë se rregullat e lojës kërkojnë që të bëhet ndërrimi i vrimave, kur “xuçka” ndodhë të hyjë në “xhuxh” (kazan), por loja nuk ka afate të përfundimit dhe mund të vazhdojë në mënyrë të pakufizuar deri sa të bjerë “terri i natës”. E ndërrimet, në lojën me fatin e popullit, këtu, në Kosovë, janë të rregullta, por në skenë mbesin vazhdimisht lojtarët e njëjtë, sepse, në kohën tonë moderne, vetëm ata “janë të aftë “ ta luajnë këtë lojë klasike?!

Me krijimin e “forumit demokratik” nga ana a z. Petersen, siç po e shohim, do të vazhdojë “loja” dhe vazhdimisht do të kërkohen “alternative të reja” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dhe, në të ardhmen, faktori ndërkombëtar do të veprojë ashtu si deri tash, në bazë të parimeve logjike të dialektikës dhe herë do t’i nxisë konfliktet midis “pozitës” dhe “opozitës”, duke “i furnizuar” që të dyja me të “dhëna të sakta” për korrupsionin dhe kriminalitetin e palës tjetër, ose duke i akuzuar që të gjithë “an blok”, siç veproi para pak kohësh “i gjithëdijshmi”, z. Solana. Dhe kur “konflikt i të kundërtave”, siç thuhej dikur në dialektikën marksiste, të arrijë shkallën më të lartë të ashpërsimit, pra, kulmin, atëherë duhet të gjenden mjete “për ta qetësuar”, për ta bërë më praktik, siç është rasti tash me krijimin e “forumit demokratik, gjithëpërfshirës”, që nuk do t’i zëvendësonte organet, por do t’u ndihmonte atyre të gjejnë “alternativa të reja”, sepse çështja e Kosovës “është ndërlikuar” aq shumë sa nuk mund ta zgjidhin as krejt “mendjet e botës”(?!) Megjithatë, ka shumë shqiptarë që thonë: Pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë! Por shqiptarët, të paktën këta që janë në skenën politike, kurrë nuk kanë ditur “të luajnë”, sepse gjithnjë i kanë imtuar lojtarët më të dobët të politikës evropiane, e cila është aq e hollë e dinake, sa, siç thotë populli ynë i urtë, “të çon për të pirë ujë, por të le pa të”.

 Pra, le të dihet se të gjithë ata që thonë se pavarësia e Kosovës është pa alternativë, njësoj si ata që thonë se kjo është kërkesë maksimale, nuk kanë të drejtë. Edhe laiku më modest i politikës e di të vërtetën se çdo gjë në këtë botë është relative, prandaj edhe gjenden alternativat. Edhe unë që e fillova këtë shkrim për “lojën e forumit” të z. Petersen, do ta përfundoj, duke i përmendur dy alternativa të pavarësisë së Kosovës: E para do të ishte vazhdimi “i lojës” derisa të lodhen të gjithë “lojtarët” dhe krejt “publiku”, pra statusi “as… – as…”, ose siç do të thuhej në gjuhë popullore “ham… ham…” i Kosovës, dhe E dyta, bashkimi i Kosovës dhe i viseve të tjera të pushtuara shqiptare me Shqipërinë. E shihni, pra, se pavarësia e Kosovës, nuk është kërkesë maksimale, por rezultat i kompromisit të arsyeshëm… Shihni pra, edhe ju shqiptarë se, megjithatë, ka alternativa… Por, fatkeqësisht fati ynë ka hyrë në rrethin vicioz dhe “loja”, një zot e di se deri kur do të vazhdojë! (4. V. 2005)

Kthehu ne fillim

--------------------------------------------

Kur Rugova i quante ekstremistë  - ata që kërkonin një shtet shqiptarë në Ballkan!

A JANË EKSTREMISTË ATA QË ANGAZHOHEN PËR SHTETIN E PËRBASHKËT SHQIPTAR?

Shkruan: Dr.Sadri FETIU

Prishtinë, 27. IX. 2003

---------------------------------

Këto ditë na ra rasti që të dëgjojmë edhe një “xhevahir” nga goja e z. Ibrahim Rugova, i cili tha përafërsisht kështu:”Në qoftë se nuk realizohet pavarësia e Kosovës, atëherë punën do ta marrin në dorë ekstremistët, që do të kërkojnë shtetin e përbashkët të shqiptarëve në Ballkan”.

Demokrati Ibrahim Rugova

---------------------

Nuk e kam ndërmend që të merrem fare me “kualifikimet”, më lejoni që edhe unë t’i quaj ekstremiste, të z. Rugova, por deklarata e tij më nxiti të mendoj pak më thellë dhe më larg se a janë, vërtet, ekstremistë ata që kërkojnë shtetin kombëtar të shqiptarëve, duke i bashkuar të gjitha viset që etnikisht kanë përqindjen e kualifikueshme për ta krijuar unitetin shtetëror të popullit shqiptar, pra, për ta bërë Shqipërinë ashtu siç do të duhej të bëhej me kohë, mu atëherë kur ishin bërë edhe shtetet e tjera të Ballkanit, ose të paktën atëherë kur u bë gjysmë Shqipëria, që disa e quajnë Shqipëri londineze e disa Shqipëri administrative ose edhe Shqipëri e 1912-shit!?

***

Jam shumë i vetëdijshëm se në gjendjen e sotme politike e shoqërore të shqiptarëve në përgjithësi, si edhe në gjendjen e raporteve ekzistuese ndërkombëtare, ka shumë vështirësi  të realizohet e drejta e patjetërsueshme historike e shqiptarëve, që të jetojnë që të gjithë, e në mënyrë të veçantë, që të gjithë ata që kanë përqindje të kualifikueshme brenda trojeve të tyre, në një tërësi shtetërore.

Fillimisht, duke u bazua në të drejtën e proklamuar të popujve për vetëvendosje, kjo gjë do të dukej krejt e panevojshme që të shtrohej si problem i veçantë. Mirëpo, fjalori i politikës së sotme evropiane në njëfarë mënyre e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit kombëtar të një populli, duke e konsideruar atë si çështje të tejkaluar, që i përket periudhës së “romantizmit nacional”, madje duke e llogaritur të vjetruar edhe konceptin e përgjithshëm  të statusit të shtetit kombëtar, apo kombit-shtet, çfarë ishin pothuajse të gjitha shtetet evropiane deri në Luftën e Dytë Botërore.

Politikat e mëdha dhe vetë shtetet e mëdha, si në të kaluarën ashtu edhe sot, i kanë nga dy përmasa për zgjidhjen e çështjeve të mëdha. Ato, pothuajse gjithnjë, edhe sot e kësaj dite, ndryshe veprojnë kur është fjala për interesat e tyre, e krejt ndryshe kur është fjala për interesat e popujve dhe të shteteve të tjera, në mënyrë të veçantë për ato të më të dobëtëve. Askund nuk ka gjetur zbatim më të madh se në politikë ajo shprehja e njohur latine “Çka i ka hije Jupiterit, nuk i ka hije kaut”.

Pra, “kuti” dhe “kandari” i politikës, siç ka dëshmuar historia e deritashme e shteteve, është i ndryshueshëm varësisht se për kënd prehen masat.  Brenda drejtësisë politike  është rregull që dikush, të përcaktojmë më qartë më i forti ka gjithnjë të drejtë, kurse i dobëti varet nga një varg rrethanash se a ka apo nuk ka të drejtë ta realizojë atë që e kanë bërë në bazë të “drejtësisë” që të gjithë të tjerët!

Të gjithë ata që kanë njohuri fillestare për historinë e dinë fare mirë se pjesa dërrmuese e  shteteve të Evropës janë shtete nacionale, që janë bashkuar kombëtarisht, që kanë vepruar dhe veprojnë edhe sot e kësaj dite si shtete nacionale brenda  mekanizmave që shënojnë një lloj uniteti të interesave politike dhe ekonomike, duke mbrojtur me ligje të veçanta në shumicën e segmenteve mëvetësinë karakteristike nacionale të tyre. Dihet, bie fjala, për Mbretërinë e Bashkuar Britanike, dihet fare mire se kur janë bashkuar: Franca, Spanja, Italia, dihet për bashkimin e hershëm të Gjermanisë, siç dihet edhe për bashkimin e vonshëm të Gjermanisë së ndarë pas luftës së Dytë Botërore. Të gjitha këto shtete, që më herët (gjatë shekullit XIX) ose edhe tash, krejt vonë, e kanë realizuar çështjen e bashkimit kombëtar, janë krijuar si shtete nacionale, që kanë luftuar e që mund të luftojnë edhe sot për t’i mbrojtur interesat e tyre kombëtare. Të gjitha këto shtete mbajnë “predikime” të thata se “na qenka tejkaluar çështja e bashkimit kombëtar për kushtet e sotme politike”, sepse tashmë e paskemi realizuar ”Evropën e Bashkuar”, se bota bashkëkohore qenka duke shkuar drejt “globalizmit” e “mondializmit”, se “epoka e kompjuterizimit dhe e internetit” i ka “shkelur”që të gjitha nevojat e njeriut të kohës së romantizmit etj.

Në kohën kur në Evropën Juglindore  zunë  të krijohen shtetet nacionale, edhe brenda viseve shqiptare vepruan rryma të veçanta politiko-ushtarake, që për qëllim patën sundimin e pavarur nga pushteti qendror i Perandorisë Osmane, siç ishin, bie fjala, Pashallëqet e Mëdha të Janinës e të Shkodrës, në të cilat siç dihet ka mbizotëruar komponentja  regjionale mbi atë nacionale. Edhe në periudhën e më pastajme, që njihet si Lëvizje e Rilindjes Kombëtare me ngjarjen e saj qendrore, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët punuan brenda rrethanave të përgjithshme shoqërore dhe politike për ta realizuar idenë e madhe për krijimin e shteti kombëtar brenda territoreve që etnikisht dhe historikisht ishin vise shqiptare.

Fatkeqësisht rrethanat e përgjithshme historike brenda raportit të forcave që ishin krijuar në Evropë, vepronin kundër interesave të shqiptarëve. Shqiptarët në fillim të shekullit XX mbetën popull i ndarë, ndërsa Shqipëria e krijuar me vendimet e Konferencës së Londrës (1913), ishte shteti unikal në botë, i cili, në të gjitha anët e kufijve tokësorë, me shtetet fqinjë kufizohej me popullsi shqiptare, sepse pjesa më e madhe e territorit nacional kishte mbetur jashtë këtij kufiri (?!)

Në atë kohë nuk kishte pothuajse asnjë shqiptar, të vetëdijshëm kombëtarisht, që ishte pajtuar me një padrejtësi të këtillë. Prandaj lëvizja kombëtare për bashkimin e shqiptarëve nuk ishte shuar kurrë. Ky bashkim vepronte në shumë plane të dukshme dhe të padukshme, duke filluar nga ideja e shkollimit, arsimimit në gjuhën shqipe, e veprimtarisë së organizimit politik e deri të veprimet luftarake, që u aktivizuan sa herë që shihej ndonjë dritë sado e largët shpresëdhënëse për ta realizuar idealin kombëtar. Të gjitha kryengritjet, të gjitha rebelimet e kaçakëve shqiptarë, të gjitha situatat e përbotshme, që krijonin hapësirë për veprim të organizuar politiko-ushtarak, siç janë ngjarjet e mëdha të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, e sollën në qendër të vëmendjes së shqiptarit çështjen e bashkimit kombëtar dhe të krijimit të Shqipërisë etnike. Në këtë drejtim vepruan sidomos të ashtuquajturat forca nacionaliste tradicionale. Por, edhe vetë komunistët, që atëbotë edukoheshin në frymën e “bashkimit të proletariatit dhe të revolucionit botëror” të “botës pa kufij”, në të cilën do të sundonin “proletarët e bashkuar të të gjitha vendeve”, siç na mëson historia jonë, nuk kishin hequr dorë nga çështja e bashkimit kombëtar. Këtë çështje komunistët e Kosovës e shtruan edhe në Bunjaj, ku e miratuan edhe Rezolutën e njohur të KANÇK-së. Madje, edhe vetë Enver Hoxha, me gjithë përkushtimin e tij internacionalist, siç shihet nga dokumentet historike, kurrë nuk kishte hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar (!?)

Të gjitha lëvizjet politike (ilegale) shqiptare, që kanë vepruar me parashenjat e njohura si “të djathta” ose “të majta” në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në programet e tyre të punës, i kanë dhënë përparësi të veçantë bashkimit kombëtar, krijimit të Shqipërisë unike. Të gjithë ata që kanë vepruar politikisht dhe janë flijuar për idealin kombëtar, kanë rënë për një Shqipëri të bashkuar. Edhe luftëtarët e UÇK-së luftuan për Kosovën, për çlirimin e saj, për të drejtën e vetëvendosjes së popullit, e cila do t’i çonte shqiptarët drejt bashkimit, sepse pa shqiptarë të bashkuar nuk mund të ketë as Evropë të Bashkuar. Të gjithë ata që flasin profka të këtilla, siç është ajo e zotëriut që pohoi se pa marrë parasysh statusit e Kosovës ju do të jeni në Evropën e Bashkuar (?!) duhet t’iu themi shkurt e trup: Jo zotëri, ne e kemi provuar për pesëdhjetë vjet çorbën e bashkim-vëllazërimit, prandaj më nuk e hamë.

Siç mund të vërtetohet nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe nga të gjitha dokumentet e tjera ndërkombëtare, që e njohin të drejtën e popujve për vetëvendosje, siç mund të dëshmohet nga realiteti i përgjithshëm i shteteve evropiane, siç mund të shihet edhe nga historia e përpjekjeve të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, ata që sot veprojnë për realizimin e idesë së bashkimit të shqiptarëve në një shtet unik brenda territoreve ku ata përbëjnë shumicën e kualifikueshme të pranuar me norma ndërkombëtare, nuk janë ekstremistë. Idealistët e këtillë askund në botë deri sot nuk janë quajtur ekstremistë. Midis shqiptarëve që kanë vepruar politikisht gjatë gjithë historisë së tyre të përgjakshme, mund të thuhet lirisht se nuk ka pasur rryma ekstreme. Duhet të dihet  njëherë e mirë se ekstremizmi politik nuk mund të ekzistojë në ato vend dhe ndër ata popuj që kurrë nuk kanë qenë të lirë. Ekstremizmi në planin politik lind, rritet dhe zhvillohet vetëm brenda shteteve nacionale që e kanë forcuar me shekuj konstruksionin e tyre shtetëror, që i kanë pasur mundësitë të krijojnë potenciale të veçanta ekonomiko-ushtarake për t’i rrezikuar shtetet e tjera, siç ishte rasti me dy rrymat më të rrezikshme totalitare të shekullit XX, fashizmin dhe komunizmin, pasojat e të cilave është duke i vuajtur edhe sot e kësaj dite bota bashkëkohore. Ekstremizmi politik u zhvillua edhe në shtetet me regjime të skajshme totalitare, siç ishte rasti me Serbinë e Milosheviqit dhe me Irakun e Sadam Hysenit, me pasojat e cilave bota do të merret edhe për shumë vjet. Pra, duhet të thuhet qartë se brenda lëvizjeve shqiptare, brenda luftës së popullit tonë për liri, kurrë nuk ka pasur kurrfarë ekstremizmi të organizuar politik e as kërkesa ekstreme  për realizimin e synimeve politike, sepse e skajshme, pra, ekstremiste, mund të jetë vetëm një lëvizje e fuqishme politiko-ushtarake, e cila tek shqiptarët kurrë nuk ka mundur të krijohet.

Shqiptarët sot edhe sikur të ngriheshin për t’i kërkuar territoret në Sanxhakun e Nishit, të pushtuara në vitet 1876 –1878, të cilat Serbia i ka pastruar etnikisht, nuk do të mund të kualifikoheshin si ekstremistë, pa marrë parasysh pasojat e shumta, që do të dilnin nga “rirregullimi i çështjeve territoriale” serbo-shqiptare, sepse e kërkojnë tokën e tyre nga e cila janë dëbuar me dhunë ushtarake. Pra, le të dihet mirë se pasardhësit e atyre që janë dëbuar me dhunë para 126 vjetësh nga viset shqiptare të Sanxhakut të Nishit, janë gjallë, e shumë nga ata i kanë edhe dëshmitë për pronësinë që Serbia ua ka marrë me dhunë. Për këtë dhunë, madje, ka edhe dëshmi të mjaftueshme ndërkombëtare, dokumente të miratuara nga Fuqitë e Mëdha, të cilat Serbia shoviniste, e përkrahur nga Rusia cariste, nuk i ka përfillur kurrë.

 ***

Fjalën ekstremizëm dhe ekstremist për t’i diskualifikuar kërkesat e drejta të shqiptarëve për lirinë e tyre e kanë përdorur deri sot vetëm dhunuesit e tyre, pushtuesit sllavë, sundimtarët e tipit Rankoviq, Tito, Gjakoviq, Hërleviq etj., si edhe xhelatët e tipit Millosheviq, Sheshel, etj.

Për çudi këto fjalë u dëgjuan këto ditë edhe nga politikani kosovar, z. Rugova!? Ka rrezik që, për t’i mbrojtur pozitat e veta të moderuara karshi faktorit ndërkombëtar në prag të bisedimeve me Serbinë për “çështje teknike”, ose për ta forcuar “pushtetin” në “pashallëkun e tyre”,  t’i përdorin shprehjet e këtilla e të ngjashme edhe politikanët e tjerë të Kosovës dhe përgjithësisht politikanët shqiptarë, që janë “trajnuar bukur mirë” për të hyrë pa kushte në Evropën e bashkuar. Nuk na mbetet tjetër, pos t’i porosisim: ”Kujdes, zotërinj, matni mirë fjalët, se pastaj do të pendoheni!”

Kthehu ne fillim

---------------------------------------------

 Vazhdon loja e Godosë me ne dhe rreth nesh

 “KOMISIONI FAKTMBLEDHËS” – AKT I RI I DRAMËS SË ABSURDIT

Shkruan: Dr.Sadri FETIU

Prishtinë, 10.04.2007 

Kosova dhe viset e tjera shqiptare si “rimland” të gjeopolitikës së tyre ose si livadh ku mund të kullosin lirisht edhe “pelat e verbëta”?!...

-----------

Kur e shkrova reagimin me titull “Duke pritur Ahtisarin” mund ta merrja me mend se kjo dramë e absurdit do ta ketë një epilog të njohur, i cili do të luhej në fund në Kuvendin e Kosovës.

Dhe ky epilog nuk do të mund të ndryshonte nga ata që tashmë janë luajtur shpesh ndër ne kur “përfaqësuesit e popullit” i kanë pranuar “dobrovolno-me zor” që të gjitha vendimet që janë marrë nga më të fortit në vende të tjera, në kryeqytetet e vendeve ballkanike ose evropiane.

Por, kësaj radhe, për të qenë absudi më i plotë, në pajtim me konceptet moderniste apo postmoderne, të dramave ose anti-dramave, epilogu u luajt dje, madje, para se të luhej akti i fundit i dramës!?

Kuvendi ynë me 99,99 për qind të votave (si dikur në kohën e komunizmit!), me aklamacion dhe ovacione e miratoi “dokumentin e Ahtisarit”, siç thotë populli ynë “si “macen në thes”, pa e ditur se çfarë do të pësojë derisa të miratohet Rezoluta e re - qeshni pak se dikush nga “kokat” tona “mendjeholla” ia qiti publikisht nëpër rrugë të Kosovës edhe numrin 14 45 (?!) - nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi ynë “i bekuar” ka besim shumë të madh në “miqësinë permanente” të aleatëve tanë botërorë?! Ky parlament edhe në të kaluarën gjithmonë ka”aminuar” me duar të ngritura lart, sepse përfaqëson një popull (më falni: një bashkësi multietnike!), që ka traditë mijëvjeçare të jetës demokratike në robëri, sepse ka pasur vazhdimisht përfaqësuesit e vet që nga senati i Romës, “mexhlisi i madh” i baba-sulltanit, në të gjitha “skupshtinat” jugosllave e deri edhe sot në “skupshtinën” e Serbisë (?!)…

Kjo është një punë e ditur, sepse e ka trajtuar gjerë e gjatë historia jonë e lavdishme (?!).

Por, sot nuk do të merremi shumë me Kuvendin tonë, ndonëse ai, bashkë me strukturat tona substanciale ?!) e meriton që, kur të flitet për të, të përdorën shumë fjalë të rralla, të cilat për shkak të hygjienës morale të disa shtresave të popullsisë nuk përdoren në fjalorin e përditshëm të shqipes…

Sot do të ndalem shkurt e shpejt në aktin më të ri të dramës se absurdit ose të lojës me ne që strukturalisht ia ka kaluar qëmoti dramës së Godosë së Beketit. Ky është akti që mund të titullohet “komisioni faktmbledhës” (!?) Vetë shprehja paraqet risi të veçantë për gjuhën tonë…Por sot s’kemi kohë të merremi me çështje linguistike… Shikuar strukturalisht, nuk mund ta dimë se, në dramën që po luhet me ne dhe rreth nesh, a është ky akti i fundit, apo do të na dalin edhe aktet e reja.

Sidoqoftë, dihet shumë mirë se drama dhe loja do të vazhdojnë… Pas “faktmbledhësve” mund të vijnë edhe komisione e nënkomisione të tjera dhe të hapen punë të reja…

Megjithatë, është shumë e habitshme se çfarë faktesh, do të mbledh ky komision !?...

A thua, pak fakte paskan mbledhur deri sot të gjitha delegacionet zyrtare dhe jozyrtare, të gjitha agjenturat e mundshme të vendeve të mëdha e të vogla që e kanë konsideruar Kosovën dhe viset e tjera shqiptare si “rimland” të gjeopolitikës së tyre ose si livadh ku mund të kullosin lirisht edhe “pelat e verbëta”?!...

A ka skutë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të Evropës Juglindore në të cilën nuk është futur hunda e agjentëve të këtillë, të paktën gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit kur këto vise i kanë vizituar jo vetëm “dreqi dhe i biri” i Evroazisë, por edhe vetë “dreqërit” e jashtëtokësorëve?!...

Por, megjithatë, loja e të mëdhenjve me ne do të vazhdojë. Ata janë marrë vesh për të gjitha! Sipas këtyre marrëveshjeve loja me ne do të ketë strukture shumëdimensionale: do të vazhdojë loja me “vetonë” ruse e kineze; do të vazhdojë loja me ndarje e rindarje territoriale brenda Kosovës; ajo me pavarësi e autonomi lokale të strukturave substanciale multietnike; do të vazhdojë loja me komisione e nënkomisione implementuese…etj., etj….

Mirëpo, më në fund, ne si popull dinjitoz me një kuvend të ushtruar e të trajnuar ndërkombëtarisht për të vepruar në të gjitha kohët, pa i marrë parasysh rrethanat, kemi vakt ta vazhdojmë lojën deri në fund…

Ata le ta bëjnë lojën e tyre e ne – tonën.

Ndonëse kemi mundësi të shumta, neve na imponohen, përsëri nga faktori ndërkombëtar, që t’i kemi vetëm dy variante: lojën e kapuçave ose të filxhanave nëpër oda të nxehta, ose lojën “guxhas” në lëndina të jeshilta!...

Për ne kurrë nuk do të bëhet vonë… Kemi pritur me shumë durim gjatë mijëvjeçarëve, do të presim edhe këtë shekull!... Godoja, shpresojmë, më në fund, do të vijë…

…Shëndosh qofshim!... Shekulli i ri - nafaka e re!

Kthehu ne fillim

 DUKE PRITUR AHTISARIN…

Shkruan: Dr.Sadri FETIU

…Ditët po ecin e ankthi po shtohet. Të gjithe jemi në pritje. Po presin në ankth si vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët. Po presin edhe politikanët e Evropës … Edhe vetë z. Sollana, bashkë me shumë zyrtarë të lartë të Bashkësisë Evropiane, është duke pritur me shumë durim?!…

…O, po pret edhe zoti Ban Ki Mun i Kombeve të Bashkuara. Po presin edhe shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Po pret me durim edhe vetë Rusia!..

Më në fund, pse mos ta themi, po pret edhe populli i gjorë i Kosovës.

Që të gjithë janë duke e pritur Ahtisarin!

Kjo pritje nuk mund te krahasohet me asgjë, pos me dramën e njohur të Beketit “Duke pritur Godonë”. 

Kjo dramë, siç e dimë të gjithë, është dramë e absurdit.

…Po pritja jonë e përbashkët, e përmasave botërore, a nuk është një absurdi i llojit të vet?!

Mund të thuhet me plotë gojën: Po…

Pse vallë, na qenka absud sui generis kjo pritje e përmasave planetare e Ahtisarit?!

        …se zgjidhja që do të propozohet, në bazë të asaj që çështë diskutuar deri tash në Vjenë (dhe në vende të tjera që ne vdektarët e zakonshëm nuk i dimë) nuk do të jetë zgjidhje…

        … se propozohet që të vihet shenja e barazimit midis krimit dhe viktimës…

        …se propozohet  që edhe ujku të jetë i ngopur dhe të mos mungojë asnjë dele…

        …se Sollana me të gjithë zyrtarët evropianë e fut kokën në zall si makushi dhe kërkon kompromise në kohën kur Serbia thotë shkoqur: unë e kam sunduar Kosovën dhe unë do ta sundojë…

        … se kërkohet nga përfaqësuesit e gjorë të Kosovës që t’i vazhdojnë (mbase deri në pambarim) negociatat me Serbinë, kur ajo nuk do asgjë tjetër pos nënshtimit të shqiptarëve…

        … se po presim që të vetëdijësohen radikalët e Sheshelit…të mbledhë mend Koshtunica…

        … se dihet fare mirë se Serbia nuk lodhet fare për serbët në Kosovë, por do ta mbajë nën sundim territorin që e ka pushtuar me 1912…

        … se ajo i do komunat serbe me lidhje horizontale e  vertikale vetëm për ta sunduar Kosovën

        …se kërkohën kompromise kur Serbia e ka përfshirë edhe në Kushtetutë Kosovën me 95 përqind popullsi jo serbe si territor të saj…

        …se evropianët e dinë fare mirë se serbet janë populli më jo besimtar, më i pafe, më blasfemues në këtë botë, që orë e ças e shanë Zotin, Diellin, bukën e çdo gjë sipas regjistrit, deri e edhe fëmijën në djep, por duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre fetare e kulturore, duke ua falur trashëgiminë e përbashkët ortodokse bizantine, që është e përbashkët për të gjithë popujt e Ballkanit…

        … se të gjithë tash e dinë fare mirë qe feja  e serbëve nuk është fare fe, por ideologji e errët shoveniste – fashiste… të cilën shteti serb e ka përdorur në vazhdimësi për t’i zgjeruar territoret  në dëm të të tjerëve, sidomos të shqiptarëve…

        … se të gjithë e dinë fare mirë se kishat e manastirët ortodokse gjatë shekujve i kanë ruajtur shqiptarët, por tash kërkohet eksteritorialiteti i tyre për t’i zgjeruar apetitet e Serbise..,

        … se të gjithë e dinë fare mirë se në të gjitha shtetet e botës ka minoritete, por vetëm për Kosovën kërkohet të jetë multietnike…

… se duan që edhe në planin sasior ta barazojnë 90-shin me 10-shin, e madje edhe me pesëshin …

…se Serbia flet haptas se nuk do zgjidhje të problemit të Kosovës…

…Dhe politikanët e klasit të parë të Evropës i kanë futur kokat ne zall si makushët  dhe në atë mënyrë duan t’i zgjidhin problemet e botës bashkëkohore…

        …Dhe mund të numërohen edhe shumë e shumë çështje për të cilat është bërë i shurdhër veshi i politikanëve, por besoj se mjaftojnë edhe vetëm këto për të konstatuar se:

        …këtu është vetëm një viktimë e pafajshme – populli i Kosovës…

        …të gjithë të tjerët (vendorët dhe ndërkombëtarët) janë duke pritur marrinë e pritjes së vendimit të Ahtisarit, mu ashtu siç ndodhë me Godonë e dramës së absurdit të Beketit…

        Prandaj…

… kënd jemi duke pritur: Godonë apo Ahtisarin…?!

 

Kthehu ne fillim

______________________________

 Multietniciteti i shpifur

NUK KA ARDHMËRI TË SIGURT PA TË DREJTËN E VETËVENDOSJES

Shkruan: Dr. Sadri FETIU

 Diskutim në Sesionin shkencor “E ardhmja e Kosovës – aspektet ekonomike, politike e juridike”, të organizuar nga Instituti për Studime Bashkëkohore, mbajtur më 29 prill 2005.

Pjesëmarrës të nderuar, do të përpiqem të flas shkurt dhe të shprehem sa më konkretisht që të jetë e mundshme. E vërteta është e thjeshtë, por njerëzit për interesa të tyre e komplikojnë. Shkenca, ndryshe nga politika që e kamuflon e edhe e anashkalon shpesh të vërtetën, ka për detyrë që ta thotë atë, pa marrë parasysh pasojat. Nuk ka thënë kot Aristoteli “e vërteta është e hidhur, por e vërtetë”.  Do të përpiqem, pra,  ta them të vërtetën ashtu siç e shoh në bazë të përcjelljes së vëmendshme të ecurive të përgjithshme lidhur me fatin e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.

Sikur të ekzistonte interesi i harmonizuar i faktorit ndërkombëtar, pa marrë parasysh strukturën e tij shumë heterogjene, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe përgjithësisht e çështjes shqiptare në Ballkan, nuk do të ishte kaq e ndërlikuar siç na paraqitet. Kuptohet, fare thjesht se Kosova duhet të jetë e lirë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale dhe mu për këtë duhet ta gëzojë të drejtën për vetëvendosje. Nuk do të ndalem më gjatë, sepse të gjithë e dini kuptimin e kësaj të drejte, e cila është e përhershme.

Historikisht, me miratimin e Evropës, kjo e drejtë i është mohuar popullit  tonë dhe ai me dhunë është ndarë e copëtuar dhe trojet e tij janë pushtuar nga të tjerët që kanë qenë më të fortë se ne. Nuk dua të bëj histori këtu, por ta them konkretisht: edhe sot e kësaj dite faktori ndërkombëtar përpiqet t’ia mohojë këtë të drejtë popullit të Kosovës. Kjo u provua edhe në Rambuje, dokumentin e së cilës, fatkeqësisht, e nënshkroi pala shqiptare. Edhe dokumentet pasuese, nuk ka nevojë t’i përmend në mënyrë të veçantë, sepse i dini të gjithë: në thelb synojnë mohimin e kësaj të drejte. Faktori ndërkombëtar, duhet të thuhet lirisht, po bën eksperimente me ne.

Havier Solana

Dikush mund të mendojë se ka qasje të gabueshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky “gabim”, nuk është pasojë e mosdijes apo mosnjohjes së problemit siç mendojnë disa nga naivët tanë, por bëhet me qëllim të caktuar. Pra, duhet të konstatohet zëshëm se Evropa, edhe sot e kësaj dite, në thelb nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ajo do që Kosova të jetë njësi regjionale e vetadministruar, të integrohet brenda rajonit  më të gjerë dhe bashkë me shtetet e tjera, në radhë të parë me Serbinë e Malin e Zi, me Bosnjën, e pastaj edhe me të tjerët, midis të cilave do të ishte edhe Shqipëria, pa u hetuar se është prekur sovraniteti i Serbisë(?!), të integrohet në Bashkësinë Evropiane. Flitet shpesh për integrim në Evropë si njësi (shtet) pa sovranitet, si “pavarësi e kushtëzuar”, si “autonomi substanciale”, si “diçka që nuk është as autonomi e as pavarësi”, por diku ndërmjet këtyre të dyjave (sic!?), pastaj edhe si “pavarësi e shkallëzuar” (kontinuale) e çka jo tjetër ! Deri sot kemi dëgjuar shumë shprehje të kësaj natyre dhe na ka munguar vetëm ajo “e elementit të federatës” që Kosova e kishte në bazë të Kushtetutës së ’74, kur mund të thuhet se brenda sistemit monist  gëzonte njëfarë pavarësie të kushtëzuar, ose një tip  vetëqeverisës të autonomisë substanciale(?!). Në këtë drejtim, pra të integrimit jo të natyrshëm, mund të thuhet qysh tash se faktori ndërkombëtar, duke u bazuar në pozitën tonë gjeopolitike dhe në dobësitë e përgjithshme të faktorit shqiptar në përgjithësi, i ka realizuar pjesërisht disa synime me pasoja shumë të rënda e mbase edhe të papërmirësueshme. Në vend të parimit të përgjithshëm demokratik të vendosjes me anë të shumicës në Kosovë, tashmë është krijuar balanca konsensuale, pothuajse për të gjitha çështjet, midis shumicës absolute shqiptare (90 %)  dhe  pakicës, minoritetit serb (5%). Ky presedan, i pashembullt kund në botën bashkëkohore, është bërë në emër të  të ashtuquajturit multietnicitet, që është imponuar si specifikë karakteristike e Kosovës (?!) Në këtë aspekt, brenda këtyre parametrave të përbërjes etnike, sot nuk ka asnjë shtet në Evropë që nuk do të ishte multietnik. Në bazë të këtij parimi, pra, të multietnicitetit të shpifur dhe të balancës së panatyrshme midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, në vend të qasjes demokratike për t’i zgjidhur çështjet e minoriteteteve në bazë të parimeve përgjithësisht të njohura për të drejtat e njerëzore dhe liritë qytetare, bëhen kushtëzime të veçanta  në bazë të përcaktimeve të të ashtuquajturave standarde, midis të cilave është edhe decentralizimi, dygjuhësia etj., jo për t’i siguruar të drejtat e minoritarëve, por për t’i ruajtur sadopak pozitat kolonialiste të Serbisë në Kosovë. Për këtë flet më së miri çështja e mbishkrimeve dygjuhësore në të gjitha rrugët e Kosovës, si standard tashmë i plotësuar, që ka vetëm një qëllim:  të dëshmojë formalisht para botës se ky territor është shqiptaro-serb ose serbo-shqiptar. Askujt nuk i ha palla për minoritetet e tjera.

Presioni që bëhet sot mbi udhëheqësit politikë të Kosovës për t’i pranuar bisedimet e drejtpërdrejta  për statusin e Kosovës me  udhëheqësit e Serbisë, jo vetëm që nuk shpie kah zgjidhja e problemit, por është edhe një dëshmi më shumë se faktori evropian synon që Kosovën ta integrojë brenda regjionit për të hyrë pastaj në Bashkësinë evropiane. Për një bashkëbisedim të këtillë të drejtpërdrejtë ishte angazhuar shumë edhe Millosheviqi, kurse “urtarët tanë” që e ruanin paqen e qetësinë, sikur të ishin ata vetë qendra e botës, ishin detyruar të shkojnë në Beograd dhe të takohen “qoftë me hatër, qoftë me zor” me sundimtarin e territorit të tyre. Vetëm kjo do të mjaftonte të konstatohet se qasja është e gabueshme, sepse Serbia ka mbetur ajo që ka qenë dhe po deklaron haptas se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pra, se nuk do të heqë dorë kurrë nga synimet e saja kolonialiste. Dhe Serbia nuk ka faj, pasi që faktori ndërkombëtar, në vend që ta dënojë për krimet, atë, siç mund ta konstatojë edhe laiku më i painformuar, e ka rehabilituar plotësisht (?!).

Pastaj, duhet të thuhet haptas se insistohet në një integrim rajonal që është në kundërshtim me zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë njerëzore, sepse integrimi më i sigurt mund të bëhet mbi bazat e qëndrueshme të strukturës etnike të popullsisë. Por një qasje e këtillë për faktorin e sotëm ndërkombëtar është e papranueshme, prandaj edhe stimulohen me të gjitha mjetet e mundshme tendencat që Kosova të ndahet e të largohet sa më shumë që të jetë e mundshme nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe të afrohet me pjesën tjetër të Ballkanit, sidomos me Serbinë  e  Malin e Zi. Fillimisht nga instancat më të larta ndërkombëtare, që flasin me gojën e Sollanës, u tha haptas se “nuk ka bashkim me Shqipërinë”, e pastaj sikur “u korrigjua” ky gabim dhe u tha se nuk ka bashkim me askënd?! Por, qëllimit të integrimit të panatyrshëm brenda regjionit, pos të tjerave, i shërben edhe forcimi i kontrollit kufitar, konkretisht vendosja e vizave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, që pa fije turpi arsyetohet gjatë vizitës së tij në Prishtinë nga përgjegjësi i politikës së jashtme zyrtare të Shqipërisë (?!), ndonëse është një nga absurdet e kohës sonë.

Në fund, duhet të thuhet haptas: Kosova sot është territor i administruar nga UNMIK-u, i cili ka dështuar në shumë aspekte. Kosova  nuk është shtet, prandaj këtu nuk ka siguri, as fizike, as ekzistenciale, për askënd: as për shqiptarët, si shumicë absolute, e as për minoritetet. Sigurinë mund ta garantojë vetëm shteti i organizuar mbi parime të njohura demokratike të pushtetit të shumicës së zgjedhur me votën e lirë e jo me pengesa konsensuale, kur pakica etnike, e manipuluar nga shteti amë, mund të vërë bllokada të pakalueshme.

Prandaj, duke përfunduar, do të pohoj edhe një herë se ne, në këtë diskutim shkencor, jemi të obliguar ta themi dhe ta mbrojmë me argumente vetëm të vërtetën. E ajo është e pandashme: Kosova nuk mund të ketë ardhmëri të sigurt pa u zbatuar parimi i njohur dhe i pranuar përgjithësisht, parimi i të drejtës ndërkombëtare, i garantuar me Kartën e Kombeve të Bashkuara, për vetëvendosjen e popujve. Pa sigurimin e kësaj të drejte nuk do të ketë zgjidhje për Kosovën.

Kosova duhet të ndahet përfundimisht nga Serbia, nga sundimi kolonial gati njëqindvjeçar i saj. Shqiptari i Kosovës, vetëm plotësisht i lirë në shtetin e tij, që mund të  jetë Kosova e sotme ose Shqipëria e Bashkuar brenda integrimeve të natyrshme evropiane, nesër, mund të bisedojë me Serbinë. Vetëm atëherë mund të jetë e garantuar fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi normal midis popujve të zonës ballkanike, e kuptohet, edhe brenda Bashkësisë Evropiane.

( 2. V. 2005)

Kthehu ne fillim

_____________________________________

Kush e shpiku multietnicitetin e Kosovës

“MULTIETNICITETI” – DUKURI E PËRGJITHSHME APO “SPECIFIKË” E KOSOVËS?!

 Shkruan: Dr.Sadri FETIU

 Midis shumë “epiteteve”, të cilat, për qëllime të ndryshme, kryesisht politike, i viheshin Kosovës në të kaluarën, njëri ka mbetur i pamposhtshëm dhe tash është përvetësuar me oreks edhe nga të huajt, që sot si UNMIK e qeverisin Kosovën. Ai epitet është “multietniciteti”.

Dikujt mund t’i duket se është një epitet i thjeshtë dhe pa ndonjë vlerë të veçantë, por në thelb përmban një fshehtësi (prapaskenë) shumë të rrezikshme për të ardhmen e shqiptarëve si popullsi shumicë që e përcakton edhe identitetin shtetëror të Kosovës.

Edhe pse dihet fare mirë se popullsia e Kosovës, e cila që nga koha e pushtimit të saj nga Serbia dhe Mali i Zi , më 1912, ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite mbi 90 % të popullsisë shqiptare, Kosova që dikur ishte “Stara Serbi”, “tokë e shenjtë serbe” (!?),  pastaj “vatër e kultivimit të vëllazërimit e të bashkimit midis kombeve dhe kombësive”, “Jugosllavi në miniaturë”, “shpirt dhe zemër e Serbisë pravosllave”(?!) e të tjera, sot ka mbetur e cilësuar nga UNMIK-u si “territor multietnik”.

Së pari do të theksojmë se territori verior shqiptar vetëm brenda periudhës që lidhet me të ashtuquajturën “Krizë lindore”, që nga koha jonë nuk e kalon kufirin e 130 vjetëve, është përgjysmuar, sepse Serbia ka pushtuar me dhunë viset  shqiptare të Sanxhakut të Nishit: Toplicën, Kosanicën, Pustarekën, Vaganicën, Jablanicën e të tjera dhe ka dëbuar mbi 250 mijë shqiptarë nga ato vise. Krejt kjo dhunë gjenocidale është përligjur nga faktori ndërkombëtar evropian me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) dhe me të gjitha vendimet e mëvonshme.

Më 1912 Kosova dhe viset e tjera shqiptare janë pushtuar dhe një pjesë e madhe e popullsisë së saj është masakruar në mënyrën më të tmerrshme. Ata që kanë mbetur gjallë, më shumë së 200 mijë frymë, u detyruan të shpërngulen. Edhe kjo dhunë është përligjur nga faktori ndërkombëtar me vendimet e Konferencës së Londrës (1913).

 Më vonë, gjatë sundimit të Jugosllavisë monarkiste, në bazë të konventave të nënshkruara me Turqinë, janë shpërngulur më shumë se 400 mijë shqiptarë. Historia ka dëshmuar se nga Kosova, që edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe me bekimin e faktorëve ndërkombëtarë, Konferencës së Paqes në Paris (1945), kundër vullnetit të popullit shqiptar, të shprehur në Konferencën e Bunjajt, ka mbetur nën sundimin e Serbisë rankoviqiane e titiste, janë shpërngulur me dhunë vetëm për në Turqi më shumë se 400 mijë shqiptarë. 

Të gjitha këto nuk janë “fantazi nacionaliste” e nxitur nga paragjykimet mitike, por fakte të dokumentuara historikisht, që i dëshmojnë edhe dokumentet serbe që nga Naçertania e Garashaninit, programi i Vasa Çubrilloviqit, ai i nobelistit serb, Ivo Andiqit etj. Edhe për kolonizimin e Kosovës me serbë e malazias dhe sllavë të tjerë nga Hercegovina, dihet botërisht,  madje janë shkruar edhe vepra të veçanta shkencore edhe nga vetë autorët serbë, siç është, fjala vjen, Obradoviqi.

Pra, le të dihet botërisht se me qëllim që të pakësohet popullsia shqiptare dhe të shtohet ajo sllave, në mënyrë sistematike, nga Kosova janë dëbuar shqiptarët dhe janë zbatuar planet e veçanta shtetërore për kolonizimin e saj me popullsi serbo-malaziase. Por, megjithatë, këtu përqindja e popullsisë shqiptare në të gjitha periudhat ka mbetur e lartë, midis 90 – 95 për qind. Prandaj, nuk do të them vetëm unë, por e thonë vetë faktet se Kosova është vend i banuar, historikisht dhe aktualisht, me popullsi shqiptare.

Në bazë të të gjithë parametrave që shërbejnë për përcaktimet gjeografike të kësaj natyre, Kosova është tokë shqiptare. Tekefundit, nuk duhet ta harrojmë edhe atë konstatimin e lashtë biblik se “livadhi është i atij që i ka dhentë”.

Të kuptohemi, edhe në Kosovë, që në krye të herëve, që kur kanë filluar migrimet e ndryshme të popullsisë, me të cilat merret dituria e demografisë, jetojnë edhe pjesëtarë të minoriteteve të ndryshme, kuptohet midis tyre edhe serbët vendës. Ata si pakicë, me plot kuptimin e kësaj fjale, jetojnë në Kosovë që nga periudha mesjetare. Gjatë sundimit turk janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, si “raja”, por, në sajë të përkujdesjes së Rusisë për ta, i kanë gëzuar edhe shumë privilegje, sidomos në planin fetar dhe kulturor.

Kuptohet se edhe në Kosovë, tekefundit, si në të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Evropës, jetojnë pjesëtarë të minoriteteve të ndryshme. Por, unë i përmenda me emër vetëm serbët, sepse  vetëm  çështja e tyre është problematike. Me gjasë vetëm për shkak të serbëve dhe të sundimit shekullor të Serbisë në këto vise, Kosova është e detyruar ta mbajë edhe sot e kësaj dite mbi kurrizin e vet barrën e rrezikshme të epitetit “multietnike”, të cilin Serbia me kohë e ka planifikuar si lak në qafën e shqiptarëve, për ta penguar zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre kombëtare.

Në të gjitha vendet e kësaj bote, duke filluar nga Amerika e deri tek Australia, bashkë me popujt shumicë, jetojnë edhe pjesëtarët e minoriteteve të ndryshme. Konsiderohet se në botën e sotme, për shkak të zhvillimeve të caktuara demografike dhe historike, nuk ka asnjë shtet në të cilin nuk jetojnë edhe banorët që u përkasin kombeve dhe etnive të ndryshme. Pra, nuk paska shtet pa minoritete ose pakica kombëtare, siç i quanim dikur! Në disa shtete të mëdha të Evropës, që njihen tradicionalisht si shtete nacionale, si bie fjala: Anglia, Gjermania, Franca, Italia, etj.,  bashkë me popullsinë shumicë, jetojnë si minoritete shumë pjesëtarë të kombeve të tjera. Disa nga këto, madje, kanë një numër qytetarësh, kuptohet me të gjitha të drejtat e garantuara qytetare e njerëzore  për minoritetet në bazë të normave ndërkombëtare. Përqindja e popullsisë që e përcakton kuptimin e tyre shtetëror, pra, e popullsisë së kombit përcaktues të kuptimit të shtetit e jo të kombit-shtet, që konsiderohet sot si kategori e tejkaluar,  në krahasim me pjesëtarët e minoriteteve, në të gjitha këto vende, është, madje, më e vogël se ajo e shqiptarëve në Kosovë. Mirëpo, deri më sot nuk kam hasur askund që dikush, Anglinë, Francën, apo Gjermaninë, ta konsiderojë si vend multietnik, ashtu siç konsiderohet Kosova nga administratorët e këtyre vendeve të Evropës, që janë në krye të UNMIK-ut, në të cilën shqiptarët përbëjnë më shumë së 90 për qind të popullsisë.

Nuk dua ta lodh lexuesin me të dhëna statistikore, por le të dihet botërisht se edhe vendet fqinje ballkanike, që konsiderohen shtete nacionale, si, bie fjala: Rumania, Bullgaria, Turqia, Serbia, Greqia, Mali i Zi, etj., brenda popullsisë së tyre kanë përqindje më të lartë të minoriteteve sesa Kosova, por deri më sot, ato, askush nuk i ka quajtur shtete “multietnike”.

Në bazë të kësaj që u tha më lart, del se “multietniciteti” na qenka një veçori “specifike” vetëm për Kosovën!? Pse Kosova e gjorë, u dashka ta bartë edhe këtë barrë?! Kush ia ngarkoi asaj edhe këtë problem?! Kush ia ngjiti këtë të paqenë? Kush ia qiti këtë “bidat”?!…

Po kush, pos robërisë shekullore të Serbisë? Serbia bashkë me Jugosllavinë, për ta mbajtur sa më gjatë sundimin në Kosovë, së pari e quajti Stara Serbi (?!) e pastaj gradualisht e zbuti në Kosovë e Metohi, (!?), ku jetojnë në “bratstvo i jedinstvo” të gjitha kombet dhe kombësitë. Dhe Serbia pasi e shtoi me sa mundi numrin e serbëve e malaziasve të ardhur si ushtarakë, policë e agjentë, nëpunës, administratorë, kuadro profesionalë – teknikë, si edhe kolonë të thjeshtë të vendosur në fshatrat me toka më pjellore të Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit, u kujdes që ta kultivojë edhe “kopshtin e minoriteteve”, duke krijuar edhe kombësi të reja, së pari, duke i pjesëtuar “ciganët” e njohur kudo në Evropë në: “hashkali”, “romë”, “egjiptas” “garaganë” etj. Pastaj, në dëm të shqiptarëve, duke ushtruar dhunë mbi ta, i “kultivoi” me kujdes të veçantë “turqit”, “myslimanët”, “boshnjakët”, “goranët” etj. Serbia punoi bukur shumë edhe për “pjesëtimin” e shqiptarëve në: “kosovarë” e “shqiptarë”, në “shiptari” dhe “albanci”, që fatkeqësisht tash vonë ka shenja se do të ketë edhe rezultate, sepse midis vetë shqiptarëve po punohet me shumë përkushtim për ta krijuar kombin e ri “kosovar”, sepse ndoshta, siç besojnë të gjorët, kështu do ta fitojnë edhe “formalisht” pavarësinë dhe do të lirohen njëherë e përgjithmonë nga “barra nacionaliste” e bashkimit kombëtar(?!).

Kështu Kosova, në sajë të kujdesit të madh të Serbisë dhe të Jugosllavisë, për zhvillimin e saj të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror, u bë “krahinë multietnike”, që duhej të shërbente si shembulli më i mirë për zgjidhjen e çështjes nacionale (!?) në kushtet e sundimit të egër sllavo-komunist të periudhës rankoviqiane dhe asaj millosheviqiane!?

Pra, le të dihet qartë se “multietniciteti” na qenka një veçori “specifike”, një “bidat” vetëm për Kosovën (?!), të cilën e paska kodifikuar njëherë e përgjithmonë sundimi sllav në Kosovë!? Këtë bidat, ashtu si edhe shumë, të ndajmbathura e  të  paqena,   të tjera, i paska pranuar duarhapur administrata e UNMIK-ut, për ta bërë më të lehtë zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Ndërkaq, politikanët shqiptarë, të rinj e të vjetër, ndoshta në bazë të inercionit, ose duke qenë të angazhuar për “çështje të mëdha”, si, bie fjala, stabiliteti i rajonit, sepse shqiptarët e ndarë në katër - pesë shtete do të shërbyekan si llaç fort i mirë për çimentimin e këtij stabiliteti (?!) ose duke u marrë aktivisht me evropeizimin e popullit të tyre, as që kanë pasur kohë të mendojnë për këtë problem !?

Të përfundojmë, pa keqkuptim: multietniciteti i Kosovës, të cilin Serbia e Jugosllavia e kanë planifikuar me kohë për ta ruajtur ndikimin e tyre mbi viset jugore, pra, për ta bërë të përjetshëm sundimin e tyre në Kosovë, siç po shihet edhe tash në projekt-kushtetutat e tyre më të reja, dhe çështja e të drejtave të minoriteteve, të garantuara me norma ndërkombëtare, janë dy çështje të ndryshme. Por, për këtë do të shkruajmë në ndonjë rast tjetër…

Prishtine 05. 01. 2004

 
   

powered by Beepworld