PROTESTUESIT NUK KANË PROVOKUAR DHUNËN!

 

 

NJË FOTO QË FLET - SA NJËMIJË FJALË!

INTERVENIMI I NJËSISË SPECIALE *ROSU* KUNDËR PROTESTUESVE TË PADHUNSHËM!

 

 

 

Sikleti çoroditës i Hashimit!

BERISHA I TIRANËS EDHE NË PRISHTINË

HASHIM, NUK JE NË LANGSTRASSE!

 

 

 

 

Ora e Albinit nuk ndalet...! 

Fluturimi i propozimeve 

LOJA ME DATA PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË !

 

Shkruan: Albin KURTI, nga arresti shtëpiak

(www.pashtriku.org – 31.07.2007 / 20:00) 

   Agimi Çeku kërcënoi. Tha: “28 Nëntor!”. Propozoi që festa e pesëfishtë kombëtare të bëhet e gjashtëfishtë. Propozoi që të shpallet pavarësia e Kosovës mu me 28 nëntor të këtij viti. Ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës secili e mendon si një datë që më pas do të bëhej historike. Mirëpo, për ta shpallur pavarësinë, Agim Çeku e zgjodhi një datë që tashmë ishte historike. Mbase e pavetëdijshmja e tij po vepronte: meqë shpallja e paramenduar e tij s’do të mund të ishte njëmend historike, ai e propozoi një datë tanimë të mirënjohur historike. Dhe, jo vetëm kaq. Ai propozoi datën, e cila duke qenë një shenjues i shumfishtë përgjatë historisë sonë, është pjesë organike e identitetit kombëtar shqiptar si asnjë datë tjetër. Rastësia gjithsesi ndodhet në siklet me të pavetëdijshmen. Edhe nëse 28 Nëntori s’do të arrijë të bëhet festë e gjashtëfishtë, ajo dosido do të mbetej festë e pesëfishtë. Agim Çeku do të humbiste vetëm atë të cilën edhe ashtu nuk e kishte.

   Nuk e kam ndërmend t’i përsëris kritikat e bëra kundër Agim Çekut se 28 Nëntori nuk do të duhej të ishte festë e pavarësisë së Kosovës meqenëse ajo datë është simbol i bashkimit kombëtar. Nuk do ta përsëris as argumentin e disa kundërshtarëve të tjerë të tij që i thanë se pavarësinë tashmë e kemi shpallur njëherë. Nuk do ta sforcoj as shqetësimin se shpallja e ardhshme do të ishte e ndryshme vetëm nëse ajo s’përfundon nëpër sirtar zyrash por fillon ndryshimin e gjendjes faktike në terren. Problemi im themelor që kam me kërcënimin e Agim Çekut është joserioziteti i tij. Nuk është çështja pse Agim Çeku e propozoi atë datë për shpalljen e pavarësisë dhe as pse e propozonte shpalljen si të tillë. Problemi është se ai nuk e kishte megjithëmend. Agim Çeku nuk e kishte seriozisht propozimin e tij. Nuk u nevojit më shumë se një ditë që të kuptohet kjo. Zbrapsja e menjëhershme e tij para kundërshtimit të kongresistëve amerikan në aeroportin e Prishtinës e dëshmoi botërisht këtë gjë. Kundërshtimi i tyre ishte serioz ngaqë propozimi i tij s’ishte serioz. Apo, ndoshta, kundërshtimi i tyre ishte serioz pikërisht që të përcaktohej nëse propozimi i tij ishte serioz.

Përgjumja e “lojtarëve” të propozimeve fluturuese për shpalljen e pavarësisë!

    Pas takimit, Agim Çeku deklaroi se i kishin bërë disa pyetje dhe ky kishte dhënë disa përgjigje. Pra, thjesht, e kishin marrur në pyetje atë ditë në lokalet e aeroportit. Ndonëse nuk jam fare dakord me atë çfarë po bën e po flet kryeministri Çeku më duhet ta pranoj se disi mu dhimbs kur u shfaq ashtu me fytyrë të mërdhezur si të një fëmije të cilin porsa e kanë rrahur. Për pesë muaj e gjysmë në burg mua më kanë marrur në pyetje vetëm gjysmë ore dhe ishte prokurori ai që skuqej. Kryeministrin e Kosovës e marrin shumë më gjatë në pyetje dhe madje e bëjnë që ai të skuqet.

    Sidoqoftë, ende pa perënduar propozimi i Agimit, nisi të qarkullonte një tjetër propozim me të njëjtën temë. Veton Surroi i përmendi Kërshëndellat si kohë kur do të shpallej pavarësia. Pas Presidentit francez Sarkozy edhe ky hamendëson për ditët e fundit të vitit të cilat njerëzve ua kujtojnë festat por edhe dhuratat e babadimrit nëse për ta mendojmë ashtu siç po i trajtojnë – pra, si fëmijët. Duke besuar që faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar objektivisht janë kundër këtyre propozimeve për data të shpalljeve, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi janë po ashtu kundër. Që të gjitha shtyrjet ndërkombëtare të përcaktimit të ri për statusin e Kosovës politikanët kosovar i interpretonin gabueshëm si shtyrje të pavarësisë. Tash, shtyrjet e reja, Agim Çeku dhe Veton Surroi i lidhin me shpallje të reja (që do të thotë premtime të reja boshe) ndërsa Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi me të ashtuquajturat ‘angazhime shtesë’ (që do të thotë negociata dhe dëgjueshmëri shtesë).

    Ndërkohë, faktorët ndërkombëtar kanë ‘përparuar’ dukshëm. Ata e shtyjnë edhe shtyrjen, shpikin faza 120 ditëshe që nuk dihet se kur do të fillojnë dhe me fundin e të cilave nuk mbaron asgjë. Në të vërtetë, nuk ka më data. Tepria e deritanishme e datave i ka zhdukur datat. A nuk është mu ky ideali i këtij neokolonializmi postmodern? Për asgjë nuk kemi datë: prej çështjes së statusit e deri tek ajo e regjistrimit të popullsisë. Është suspenduar koha (e planifikimit). Natyrisht, që të mos ketë datë të (përfundimit) të misionit të tyre sundues mbi neve që kësisoj mbesim të kurthuar në këtë përkohësi të përjetshme.

    Kemi të bëjmë me datë për shpallje? Jo. Këta vetëm shpallin data. Shpallin data për shpalljet e pavarësisë që s’do të ndodhin. Prandaj, as 28 Nëntori i sivjetmë nuk do të jetë ditë kur festohet pavarësia ose shpallja e saj. Gjithsesi që ka pakrahasimisht më shumë arsye që atë ditë (sërish) të protestohet kundër regjimit në fuqi dhe të demonstrohet vullneti ynë sesa të festojmë e urojmë njëri-tjetrin të nënshtruar nga regjimi duke demonstruar asisoj (vetë) mashtrimin tonë.

  Retorika ”historike” e politikanëve negociator të Kosovës!

PËRVIJIMI I HISTORISË NË MASKARADË

www.pashtriku.org - 05.07.2007 / 21:00)

Shkruan: Albin KURTI, nga Burgu i Prizrenit, krahu A, Qelia nr. 3

***

Aq shumë data historike na dolën këta muajve të fundit saqë jeta jonë kolektive disi është shndërruar në një moment të stërzgjatur historik. Shumë data historike u shpallën në këta fare pak muaj, jo rastësisht, mu atëherë kur janë inkurajuar pritjet për pavarësinë, dhe mu atëherë kur ‘pavarësia’ që shtyhej gjithnjë po shtyhet sërish.

Takim historik, vizitë historike, deklaratë historike, mbledhje historike, hap historik. Cilësori ‘historik(e)’, si asnjëherë më parë, ka kolonizuar retorikën e politikanëve negociator nga Kosova. Këta politikanë vazhdimisht e konstatojnë historinë në të sotmen.

Ata nuk e presin ardhmërinë që e bën të sotmen të kaluar dhe eventualisht e vendos atë mandej në histori. Ata e identifikojnë historinë dhe historiken, sot dhe këtu. Dhe, këtë identifikim e bëjnë sot për sot. Një ngjarje historike është gjithherë më pak historike pas ngjarjes së ardhshme historike. Meqë ato janë aq të shpeshta te ne sipas këtyre politikanëve, ata detyrohen ta mbajnë aktuale historinë që shpallin.

Mbase këta politikanë dyshojnë që vështrimi i historisë nga e ardhmja mund të jetë shpërfillës ndaj këtyre ‘bëmave’ të tanishme të tyre dhe andaj bëhen vetë historianë. Duke qenë mosbesues ndaj vlerësimit të historisë që s’do ta kontrollojnë, ata aktrojnë historianët. Ose, frikësohen që historia megjithatë do t’i regjistrojë, ama për të keq, dhe nguten t’u japin ngjyrime pozitive gjërave esencialisht negative. Duke qenë të trazuar nga mendimi për mëshirën e historisë që mund të mungojë, orvaten t’i paraprijnë vlerësimit të saj.

          Kjo mënyrë e tyre, që gjithsesi prodhon historira të denja vetëm për tabloide, nuk mbaron me kaq. Negociatorët kosovar jo vetëm që konstatojnë aty për aty data historike por edhe i paralajmërojnë ato për të ardhmen e afërt. Na flasin për raste e shanse historike që e presin Kosovën në ditët, javët e muajt në vijim. Pompoziteti i paralajmërimeve rregullisht pasohet nga shija e hidhur e zhgënjimit e cila mbetet të zbutet nga paralajmërimi tjetër i rradhës, edhe më pompoz se ai paraprak. Me gjasë, kur thonë rast historik, negociatorët mendojnë të mos thonë rast i rëndësishëm. Nëse do të thoshin vetëm ‘i rëndësishëm’ besojnë se kjo nuk do të konsiderohej si ‘mjaftueshëm i rëndësishëm’.

Pra, nuk është se kemi të bëjmë me raste të rëndësishme që do të na bënin t’i quajmë edhe historike por më parë ato emërtohen ‘historike’ që t’i konsiderojmë të rëndësishme. Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për raste të rëndësishme dhe aq më pak për raste historike. Bëhet fjalë veçse për gjahun që ka për shënjestër vëmendjen tonë, manipulimi i së cilës bëhet mbijetesë për ta.

          Sigurisht që momente e ngjarje të ndryshme quhen historike që të mund të flitet për personalitete historike. Duke u frikësuar se mos porta e historisë është mbyllur, negociatorët kosovar përpiqen të sajojnë deriçka të historisë për veten e tyre. Megjithëkëtë, nuk mendoj se ky është shpjegimi shterrues i këtij fenomeni që dominon politikën ditore kosovare (pasi që tjetër politikë edhe ashtu nuk ka). Përveçse projekt i vetëdijshëm i politikanëve për të hyrë në histori, sjellja e tyre ngjan edhe me një rebelim të pavetëdijshëm kundër suprimimit të historisë.

Që prej tetë viteve, prejse UNMIK-u është instaluar në Kosovë, mbi dy milionë njerëz janë mbërthyer në një përkohësi të paafatizuar që ushqen veten. Ata kësisoj s’kanë të ardhme. Por, që të mos kenë të ardhme s’duhet të kenë të kaluar. UNMIK-u i ndau epokat në para dhe pas ardhjes së tij duke e shpërfillur totalisht të parën. E fshiu përvojën e Kosovës në mënyrë që ta konsiderojnë atë të papërvojë dhe ta sundojnë pa u lodhur shumë.

Nuk i mori në konsideratë sakrificat dhe humbjet e popullit që të mos ndihej borxhi dhe, sërish e njëjta, të sundojë pa u lodhur shumë. E suprimoi historinë për ta keqbërë atë dhe për ta përligjur veten. Në këtë të tashme kalimtare që nuk përfundon asnjëherë, ndonëse përherë ik shpejt në pakthim, politikanët kosovar ndjehen të kërcënuar. Regjimi i cili zyrtarisht e fshiu historinë e një populli nuk i kursen disa individë të tij. Shtypjen e historisë të së kaluarës ata tash duan ta zëvendësojnë me një të sotme historike. Por, e pavetëdijshmja e tyre nuk rri urtë si ata: e tashmja është ‘historike’ mu atëherë kur e kaluara përpiqet të restaurohet si e tillë.


Më 28 qershor 2007 - Burgu i Prizrenit, krahu A, Qelia nr.3

 ZËVENDËSIMET DEGRADUESE

(www.pashtriku.org - 03.07.2007 / 21:05)

 Shkruan: Albin KURTI

Tashmë nuk është çështja nëse do të ketë pavarësi ose jo por nëse do të ketë rezolutë të re në KS të OKB-së ose jo. Tashmë nuk është çështja se kur do të vie pavarësia por kur do të vie rezoluta. Vite më parë, kur u patën shpikur “Standardet para Statusit”, fjala ‘status’ u bë zëvendësim për fjalën pavarësi. Tash, fjala ‘rezolutë’ u bë zëvendësim për fjalën ‘pavarësi’. Mënyra e njejtë ka prodhuar efekte të njëjta psikologjike. Duke e absorbuar dhe asimiluar këtë zëvendësim njerëzit bëhen indiferent karshi përmbajtjes së statusit, përkatësisht karshi përmbajtjes së rezolutës. Ata bëhen të gatshëm që çfarëdo statusi e çfarëdo rezolute ta quajnë pavarësi. Sepse, pavarësinë e prisnin në formë të statusit të përcaktuar e të rezolutës së miratuar. Ata shpërfillin përmbajtjen që tregon ndryshe. Dhe, mbase pavetëdijshëm, pikërisht për shkak se ajo tregon ndryshe.

‘Pavarësi e kushtëzuar’ ishte koncepti që u përforcua nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave për t’i mbështetur ‘standardet para statusit’. Standardet ngjanin si kushtëzimi ndërsa statusi si pavarësia diku në ardhmëri. ‘Pavarësia e mbikëqyrur’ është koncepti i Ahtisaarit për ta vazhduar llojin e UNMIK-ut. Mbikëqyrja është sundimi ndërkombëtar autoritar që do të na e mbajë pavarësinë si premtim ndërkohë që decentralizimi dhe ‘eksterritorialiteti’ do të jenë gangrena e infektuar. Mosparandalimi i saj do të bëjë që ne vetë të kërkojmë gjymtimin tonë në përpjekje e sipër për të shpëtuar atë që ende mund të shpëtohet.

As ‘statusi’ dje nuk ishte pavarësi dhe as ‘rezoluta’ sot apo nesër nuk është dhe s’do të jetë pavarësi. Që të dyja janë eufemizma për modalitete të varësisë së Kosovës nga Serbia (nominalisht) dhe nga regjime neokolonialiste ndërkombëtare (praktikisht). Varësi që po shtyhen në kohë meqë Serbia (dhe Rusia) nuk po janë të kënaqura. Ato po duan varësi edhe më të rënda, gjithnjë e më të rënda.

Negociatorët kosovar që gjithnjë kanë kërkesë maksimale (e tilla e fundit është pakoja e Ahtisaarit) dhe asnjëherë s’kishin kërkesë minimale (përfundi së cilës nuk bien), janë kontribues në rritjen e apetiteve të Serbisë. Ata e zbresin poshtë e më poshtë çështjen e Kosovës në mënyrë që ata vetë, nëse nuk mund të ngjiten më lartë, së paku të mbesin po aty, në po ato pozita. Në anën tjetër, mënyra e adresimit të çështjes së Kosovës (negociata me Serbinë që përfundojnë në KS të OKB-së në pritje të një vendimi atje) e ka bërë Rusinë faktor kaq të rëndësishëm.

Koncepti i ‘statusit’ e bëri Serbinë faktor për Kosovën kurse ai i ‘rezolutës’ (së re) e bëri Rusinë faktor për Kosovën. Vetëm vetëvendosja e bën Kosovën faktor për Kosovën. Vetëm ajo e bën të mundur pavarësinë. Zëvendësimet janë degraduese. Ato e pamundësojnë pavarësinë.

25 qershor 2007 - Burgu i Prizrenit, krahu A, Qelia nr. 3

&

SHTYERJA E SHTYRJES

Shkruan: Albin KURTI

Lajmi kryesor në javën që lamë pas ishte shtyrja e statusit për katër muaj. Takimi i fundit i G-8 vërtetoi përfundimisht paralajmërimet për shtyrjen e rradhës. Presidenti francez Sarkozy propozoi gjashtë muaj shtyrje në mënyrë që tash ideja për katër muaj shtyrje të duket si një përfitim prej dy muajsh. Presidenti amerikan Bush, duke folur në Tiranë për ‘pavarësinë’ që të mos fliste për kohën e saj, gjithashtu, po nënkuptonte shtyrjen.

Ndonëse propozimet për shtyrje, përherë dhe jo vetëm këtë herë, parashihnin pezullimin e mëtejmë të statusit, ato, asnjëherë sikurse edhe këtë herë, nuk u pranuan nga Rusia. Rusia po e shtyen edhe shtyrjen, po e pezullon edhe pezullimin. Prandaj, nuk është e vërtetë se statusi u shty për katër muaj. Është shtyrë shtyrja katërmujore. Jo statusi. Është shtyrë momenti kur do të bëhet shtyrja katërmujore. Është shtyrë pa afat një shtyrje e afatizuar.

Lajmi për shtyrjen e statusit për katër muaj nuk është i vërtetë as në pjesën tjetër të tij. Kur thuhet ‘shtyrja e statusit’ aludohet se Kosova s’ka status, se ai duhet përcaktuar dhe se ky përcaktim konsiston në pavarësi. Kosova, si çdo vend e territor tjetër në botë, ka status. Aktualisht është ky statusi i autonomisë substanciale i administruar nga një regjim burokratik ndërkombëtar. Andaj, çështja nuk është përcaktimi apo zgjidhja e statusit por ndryshimi i tij. Nëse mund të ketë diskutime për rrugën që duhet ndjekur për ndryshimin e statusit, mosndryshimi i tij ka një mënyrë të padiskutueshme. Është kjo mënyra e Grupit Negociator të Kosovës: negociata me Serbinë të cilat sjellin si rezultat pavarësinë të cilën më pas e miraton KS i OKB-së! Shembull marramendës i paralogjizmit.

24 qershor 2007 - Burgu i Prizrenit, krahu A, Qelia nr. 3

&

KURTHI PLANETAR

 Shkruan: Albin KURTI

Politikanët e diplomatët perëndimor kur iu drejtohen kosovarëve u flasin atyre për pavarësinë e Kosovës (sipas pakos së Ahtisaarit) që ta zhvendosin vëmendjen nga data e saj aspak e afërt. Po të njëjtit politikanë e diplomatë Rusisë i ofrojnë data që të mos detyrohen t’ia ofrojnë copë – copë pakon e Ahtisaarit.

Kërkesën e popullit të Kosovës për pavarësi Grupi Negociator e ka transformuar në lutje për pakon e Ahtisaarit. Degradimi është i dyfishtë. Kërkesën e kanë bërë lutje; të drejtën e kanë shndërruar në dhuratë që gjoja vjen në fund; përpjekjen për liri e kanë zëvendësuar me avokim e lobim për të. Dhe, së dyti, pavarësinë e kanë bërë ashtu siç e parasheh pakoja e Ahtisaarit, një pako kjo që nuk të jep pavarësi as brenda Kosovës (për shkak të Misionit Civil Ndërkombëtar që trashëgon UNMIK-un) e as në raport me Serbinë (për shkak të decentralizimit etnik, ‘eksterritorialitetit’ fetar dhe modelit të shumicës së dyfishtë që bllokon Kuvendin e ardhshëm të Kosovës).

Shtyrjet e statusit (të mbyllur në pakon e Ahtisaarit) propozohen që të vazhdohet pritja nëpërmjet ushqimit të bindjes së gabuar se ajo që po shtyhet njëmend është pavarësia vetë. Nëse dikur pavarësia i mobilizonte njerëzit sot ajo i pasivizon ata. Pavarësia është premtimi universal i cili i bën njerëzit të presin. Rrjedhimisht, ajo shtyhet me lehtësi. Paradoksalisht, është Rusia ajo që nuk e pranon as shtyrjen, sepse atë e ka kur të dojë, për shkak se e refuzon pakon e Ahtisaarit, të cilën sërish e ka kur të dojë. Rusia do më shumë sepse Serbia do më shumë. Refuzimi i Rusisë duke u bazuar në nevojën e pëlqimit të Serbisë nuk është vetëm një kthim i sforcuar i Rusisë në skenën ndërkombëtare por ai ka për synim edhe t’ia kthejë kokën Kosovës kah Beogradi dhe vetëm kah Beogradi. T’ia vulos Kosovës varësinë nga Beogradi.

Mirëpo, si u bë që u katandisëm në këtë gjendje? Si erdhëm në situatën ku të gjithë luajnë aq shumë me ne? Ku të gjithë kontribuojnë ngapak në vendimet për neve që s’lejohemi të vendosim për veten tonë?

Tetë vjet më parë, intervenimi (vetëm nga ajri) i NATO-s nuk kishte mandat politik (çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës) por vetëm motiv të deklaruar humanitar (shpëtimin e popullatës). Bombardimet u ndalën kur u arrit kompromisi. Humbjen ushtarake (Marrëveshja e Kumanovës) Milosheviqi e kompensoi me fitore politike (Rezoluta 1244). (Edhe atëbotë, Rusia e pranoi rezolutën sepse Serbia e pranoi atë.) Në fund të muajit maj dhe në fillim të qershorit të vitit 1999 situata në Kosovë dhe përreth saj ishte emergjente. NATO-ja ishte e vetëdijshme se nuk kishte arritur ta parandalonte gjenocidin dhe zbrazja e Kosovës nga shqiptarët po intensifikohej. Emergjenca që po e rriste panikun e fuqive të mëdha bëri që ato të dakordoheshin shpejt e shpejt në KS të OKB-së. Pikërisht emergjenca e ktheu çështjen e Kosovës në OKB prej nga e kishte nxjerrur NATO-ja dhe intervenimi i saj. Pikërisht emergjenca bëri që atje të sjellej një vendim kompromisi (në dëm të Kosovës natyrisht). Atëbotë kishte emergjencë dhe rrjedhimisht kishte vendime. Sot ka komoditet dhe rrjedhimisht s’ka vendime. Ose, më saktë, ka vendime për shtyrjen e vendimeve.

KS i OKB-së gjithmonë do të ketë prioritete të tjera. E nëse bëhesh prioritet aty, atëherë sërish vaj halli: kjo nënkupton vetë pragun e tragjedisë kolektive. Sepse pragu i reagimit të Ks të OKB-së është shumë i lartë. Ai matet me viktima, dhe atë, me tepër shumë viktima. KS i OKB-së ose miraton rezoluta që s’do të kenë rëndësi (psh. ato që i dedikohen Izraelit) ose zvarrit rezoluta që do të kishin rëndësi. Dhe, i zvarrit ato deri në pikën kur (madje përkundër emergjencës) aprovohet ndonjë përmbajtje e degjeneruar me përplot ambiguitete. Mbase, mund të thuhet se, nëse do që një gjë të bllokohet, atëherë, thjesht, dërgoje në KS të OKB-së, në atë adresë planetare që të shndërron në problem global meqë i konsideron pasojat globale të zgjidhjes. Padyshim që Milosheviqi ishte i vetëdijshëm për këtë në pranverën e vitit 1999. Ndërkaq Grupi Negociator i Kosovës nuk është i vetëdijshëm për kurthën planetare as në pranverën e vitit 2007. Dëshmitar e kemi kurrizin tonë të përkulur si kurrë më parë. Pesha e bllokimit të dyfishtë rrezikon ta thyejë atë përfundimisht. Si në nivelin e organizmave të fuqive të mëdha po ashtu edhe në atë të UNMIK-ut e kinseinstitucioneve kosovare. Kosova mbetet e bllokuar. Secilit premtim dhe të gjitha premtimeve të tyre tetëvjeçare u doli boja. Bymimi artificial i tezave të tyre mori fund. Arsyetimet e tyre ishin qelqurina ndërsa deklaratat e tyre pllaquritje. Mirëpo, nuk ka vend për pesimizëm. Përkundrazi. Çdo fund është veçse fillim i ri. Hapsira për vendimet tona për veten tonë në vendin tonë po zgjerohet me rrëmbim. Hapsira që quhet vetëvendosje po ngjan. Ajo është hapsirë politike dhe jashtëinstitucionale, është hapsirë jashtë sistemit dhe thellë brenda realitetit shoqëror. A nuk e kemi dashur mu këtë? A nuk jemi angazhuar mu për këtë? Për këtë kthim politik te vetja drejt realizimit të vetes? Për kthimin që na bën të ecim përpara?

23 qershor 2007 - Burgu i Prizrenit, Krahu A, Qelia nr. 3

&

KUNDËRVËNIA E KUJTESËS SË HARRUAR

 Shkruan: Albin KURTI

Në vitet 1999 dhe 2000 thuhej se Kosova do të vazhdojë që vetvetiu të bëhet e pavarur. Se koha punon për të. Besohej që duke jetuar praktikisht të ndarë nga Serbia (e posaçërisht nga dhuna e saj) vendi ynë natyrshëm do të pavarësohet. Besohej që pavarësia nuk ka nevojë të jetë qëllimi ynë sepse ajo do të jetë pasojë normale e jetës sonë. Kalimi i kohës, disi edhe pa neve, do t’i rregullojë gjërat ashtu siç kemi dashur ngahera.

Tetë vjet më vonë, afërsisht nga të njëjtit politikanë e diplomatë të huaj, thuhet se duhet të përcaktohet statusi sa më parë meqë situata mund të shpërthejë. Se gjendja është e mjerueshme jo vetëm në politikë por edhe në shoqëri dhe ekonomi. Se njerëzit janë lodhur e mërzitur duke e pritur pavarësinë ndërkohë që s’arrijnë të punësohen dhe vazhdojnë të varfërohen. Tetë vjet më vonë na e zbulojnë se Kosova nuk e paska kohën aleat të saj siç është menduar. Kësisoj, u bë publik ky manipulim i dikurshëm pasi që u siguruan se ai tashmë ishte harruar. Nuk mund të themi se paragjykimi i tyre ishte krejt pa mend. Aq shumë falin e harrojnë njerëzit në Kosovë, e veçanërisht politikanët, saqë duken sikur s’kanë fare përvojë dhe janë të mbushur përplot vetëm me shpresë. Mjafton të kujtojmë mikpritjen që politikanët kosovar gjatë këtij viti ua bënë Robert Badinterit dhe Kai Eides. Mikpritja e tyre ishte e turpshme. Ajo ishte dëshmi se politikanët kosovar ose nuk kanë mbamendje ose nuk çajnë kokën. Por, ishte edhe dëshmi se Kosovës mund t’i bësh ç’të duash meqë politikanët e saj ta falin. Nëse Robert Badinteri në fillimvitet e ’90-ta e la Kosovën nën Serbi, Kai Eide vuri bazat e copëtimit territorial të saj dhe tjetërsimit kulturor. Mbase politikanët kosovar pajtimin me bashkësinë ndërkombëtare (çkado qoftë ajo) e kuptojnë dhe e bëjnë si pajtim me secilin burokrat ndërkombëtar.

Vitet 1999 dhe 2000 shënojnë (vetë)mashtrimin e madh në Kosovë. Liria nga vrasjet arbitrare u keqkuptua si liri politike. Ndihmat humanitare u keqkuptuan si prelud i zhvillimit ekonomik. Nuk u kuptua që në Kosovë sundon nominalizmi. Se emërtimi organizon diskursin. Emri i vendit tonë ishte Rezoluta 1244. Ajo parashihte vetëm autonomi substanciale për Kosovën në kuadër të Jugosllavisë që u pasua nga Serbia. Politikanët e kuptuan më herët se qytetarët këtë gjë. Andaj u ekzaltuan me propozimin për ‘pavarësi të mbikëqyrur’. Lehtësia me të cilën ata e pranuan ‘pavarësinë e mbikëqyrur’ dëshmoi se nuk kanë besuar aq shumë në pavarësi ashtu siç janë shtirur. Politikanët kosovar kanë dashur që populli të besojë në pavarësi. Dhe tash ky besim i popullit që vetë politikanët e kanë mbjellur  iu kundërvihet po atyre politikanëve.

Populli i Kosovës nuk ishte fare i entuziazmuar me ‘pavarësinë e mbikëqyrur’. Për shkak se ‘pavarësia e mbikëqyrur’ nuk është pavarësi, natyrisht. Nuk është ai premtimi i politikanëve drejtuar popullit që ka bërë që populli t’i durojë ata politikanë. Sepse kur Sejdiu, Çeku etj. thoshin që pavarësia vjen në fund të vitit, në gjysmë të vitit apo në muajin tjetër ata po kërkonin zgjatjen e mandateve të tyre deri në fund të vitit, në gjysmë të vitit apo deri në muajin tjetër. Gjithnjë e më pak do të mund ta zgjasin jetën e tyre politike. Gjithnjë e më shumë kjo do të paralajmërojë vdekjen e tyre politike. Me vite të tëra e kanë farkuar zemërimin që do t’i përpijë. Me vite të tëra janë dëfryer me luksin e pafundëm që tani merr kuptimin e investimit në fundin e tyre. Ngado shihet dhe ndjehet epilogu i pritjes dhe sosja e durimit. Fytyrat e mërdhezura të njerëzve i ngjajnë aq shumë njëra-tjetrës. Mospërmbushja tepër e gjatë e premtimit të njëjtë i çliron kujtimet e hidhura, e bën të kaluarën reale. Mbase, më saktë është të thuhet se populli nuk harron porse kujtesa e tij është e ndrydhur. E, kujtesa e ndrydhur megjithatë është kujtesë. Sa më e gjatë ndrydhja aq më e madhe kujtesa. Dhe, aq më i rrëmbyeshëm kthimi i saj.

22 qershor 2007 - Burgu i Prizrenit, krahu A, Qelia nr. 3

Kthehu ne fillim

----------------------------------

 Reagim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me seli Prishtinë

  KRISHTIZIMI I ALBIN KURTIT

(www.pashtriku.org - 15 qershor 2007 / 22:15)

KMDLNJ, me seli në Prishtinë reagon për lojën dhe terrorizimin psikik që i bëhet ndoshta të burgosurit të vetëm politk në Evropë, Albin Kurtit aktivist i Vetëvendosjes.

Pasi prokurori ndërkombëtar ka ngritur padinë kundër Albin Kurtit, Kolegji i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, arrestin që ishte duke e mbajtur në Burgun e Prizrenit e zëvendësoi me arrest shtëpiak me kushte më fleksibile sa i përketë kontaktit me media dhe aktivistët e Vetëvendosjes. Iu lejua që në banesën e tij të takojë mediat dhe aktivistët e Vetëvendosjes. Me paralajmërimin e zotit Kurti për organizimin e protestave të radhës të Vetëvendosjes( 30 qershor 2007) u aktivizua mekanizmi represiv ( drejtësia ndërkombëtare) dhe ai politik ( vendor dhe ndërkombëtar) që edhe ishin urdhërdhënës për arrestimin e tij dhe e shfuqizuan vendimin e Gjykatës së Qarkut duke e zëvendësuar me një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, në bazë të ankesës së ushtruar të prokurorit ndërkombëtar dhe i cakton paraburgim prej 30 ditësh duke e dërguar në Burgun e Prizrenit. Albin Kurti u izolua për ta mbrojtur statusin e imponuar politik dhe akuzohet për veprime kriminale ndërkaq kriminelët e vërtetë ( vrasësit e protestuesve paqësorë) ikën në Rumani. Urdhërdhënësit shetisin lirshëm në Prishtinë.

KMDLNJ e mbron të drejtën e fjalës së lirë dhe organizimin e protestave paqësore andaj tërheqë vërejtjen se në Kosovë seriozisht është rrezikuar liria e fjalës dhe veprimi opozitar. Albin Kurti po terrorizohet për hirë të ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë hipotetike.

KMDLNJ   kërkon lirimin e Albin Kurtit dhe të burgosurve të tjerë politik në Kosovë dhe denoncon botërisht shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut për shkak të bindjeve tjera politike, nga drejtësia ndërkombëtare dhe politika e instrumentalizuar.                       

Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së

Kthehu ne fillim

-----------------------------

 ALBINI NUK KA DËSHMUAR SE I KA NDRYSHUAR QËNDRIMET – GJYKATA E UNMIK-ut E RIBURGOS EDHE PËR 30 DITË TË TJERA!

(www.pashtriku.org - 13.06.2007 / 18:25) 

U burgos Albini sepse nuk po ndalet Lëvizja VETËVENDOSJE! 

Albin Kurti, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! u arrestua prapë. Atij iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Albini ishte transferuar në arrest shtëpiak më 6 qershor. Në këtë arrest shtëpiak ai është mbajtur deri sot, kur njësitet e SHPK-së e arrestuan në banesën e tij me urdhër të gjykatës.

Pafytyrësia politike e fshehur prapa vellos së tejdukshme të kinsedrejtësisë po vazhdon. Ridërgimi i Albinit në vuajtje të paraburgimit, pa kurrnjë arsye nuk është e re e as befasuese. Ai po mbahet në paraburgim pa kurrnjë arsye prej se ishte arrestuar më 10 shkurt. Ky pushtet terrorist nuk kishte arsye ta mbante atë të burgosur atëherë, ashtu siç nuk ka arsye ta mbajnë atë të burgosur sot. Por këta vazhdojnë ta mbajnë Albinin të burgosur. Për shkak se mjedisi politik në Kosovë nuk është i sigurtë. Po të kishte qenë pavarësia ashtu afër siç po na rrejnë, Albini nuk do të mbahej në burg. Pikërisht pse ajo nuk është, pushtetit i pengon Albini dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!

Në arsyetimin e mjerë të lëshuar nga gjykata e UNMIK-ut thuhet se gjatë qëndrimit të Albinit në arrest shtëpiak, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka vazhduar më aktivitetet e saj, dhe Albini nuk ka dëshmuar se i ka ndryshuar qëndrimet. Çfarë është kjo hakmarrje?! Një pushtet i cili të hakmirret për shkak të qëndrimeve politike, dhe për shkak të shprehjes publike të këtyre qëndrimeve, është asgjë tjetër pos pushtet fashist. Hitleri i persekutonte kundërshtarët kështu. Stalini vepronte njëlloj me kundërshtarët e tij politik. Milosheviqin e kemi provuar të gjithë. Tash UNMIK-un po e provojnë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nesër po këtë UNMIK do ta provojnë të gjithë ata që vendosin ta kundërshtojnë atë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon demonstratë më 30 qershor. Pushteti po synon ta dobësojë këtë demonstratë përmes trysnisë ndaj aktivistëve. Sot e burgosën Albinin, nesër kushedi kënd. Por demonstratën nuk do ta ndalin. Sa më e madhe të jetë shtypja e pushtetit, aq më i madh bëhet vullneti për liri. Për shkak se represioni ia rritë popullit nevojën për të jetuar i lirë – represioni i jep kuptim përpjekjes për liri. Prandaj ky represion që ushtron pushteti aktual kinsedemokratik po ia bën me dije ditë e më shumë popullit të Kosovës se liria është e pazëvendësueshme, dhe se fitoren e kemi të domosdoshme. Kjo fitore është vetëvendosja, përcaktimi i fatit tonë përmes referendumit. Kjo, dhe vetëm kjo e nxjerrë popullin nga burgu i UNMIK-ut.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

 Kthehu ne fillim

---------------------------------------- 

 "…“minusi” në pakon e Ahtisaarit sa vjen e rritet!"


ALBIN KURTI:”JEMI DUKE I INTENSIFIKUAR PËRGATITJET PËR DEMONSTRATËN E RADHËS”

(www.pashtriku.org - Prishtinë, 08.06.2007)

Fjala e Albinit në konferencën e sotme për shtyp


Izolimi dhe shtyrja


Brenda KS të OKB-së, sikurse edhe brenda G-8-shit, nuk ka dallime cilësore ideologjike. Prandaj, për KS të OKB-së, sikurse edhe për G-8-shin, çështje të rëndësishme dhe të denja për t'i konsideruar janë vetëm çështjet emergjente. Kosova për ta nuk është çështje emergjente. Kur merren me çështjen e Kosovës ata vetëm e shtyjnë zgjidhjen e saj. Dhe, do të vazhdojnë ta shtyejnë zgjidhjen e saj deri atëherë kur Kosova të bëhet çështje emergjente.

Duke iu falenderuar Grupit Negociator edhe ajo zgjidhje nuk do të jetë zgjidhje. Në rastin më të mirë do të jetë veçse "Pakoja e Ahtisaarit minus". Maksimumi teorik i Grupit Negociator për Kosovën është "Pakoja e Ahtisaarit minus". Pakoja e Ahtisaarit nuk e ka brenda pavarësinë por ndarjen territoriale dhe tjetërsimin kulturor e historik të Kosovës. Meqë negociatorët kosovar e pranuan atë pako, dhe pranimin e tyre ua dorëzuan faktorëve ndërkombëtar, tash ata faktorë negociojnë në emrin tonë duke inkuadruar në pazar edhe interesat e tyre. Negociatat vazhdojnë, koncesionet vazhdojnë. Andaj ky 'minusi' në pakon e Ahtisaarit sa vjen e rritet. Një minus i madh në një pako edhe ashtu tepër të ngushtë.

 

Pas agresionit dhe gjenocidit, pas gjithë atyre krimeve dhe padrejtësive, Serbia vazhdon të përfitojë. Procesi i negociatave ia mundësoi këtë. Procesi i negociatave i cili përfundon atëherë kur Serbia (dhe Rusia) të jetë e kënaqur. Çështja e Kosovës nuk zgjidhet drejtë kur problem i Kosovës nuk konsiderohet vetë Kosova, por Serbia. Atëherë kur Serbia është fajtori dhe jo partneri në negociata. Grupi Negociator i Kosovës e ka shitur Kosovën. Dhe, e ka shitur shumë lirë: për promovime e privilegje shumë personale të anëtarëve të Grupit Negociator.

Ndaj neve, aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i kanë ndërsyer policinë dhe gjykatat me miratimin e po atij Grupi Negociator që njëzëri e ka shitur Kosovën.

Kësaj radhe paraburgimin ma zëvendësuan me arrest shtëpiak për dy arsye:

  1. Që të krijohet përshtypja e gabushme se unë u lirova
  2. Që ta zbusin dhe balansojnë ca ngritjen e aktakuzës

Ky arrest shtëpiak është më i zi se burgu. Atje kishim shëtitje në ajër të pastër dy herë në ditë nga një orë dhe nuk më rrinin te dera gjatë tërë ditës dhe natës policë me këmisha antiblumb dhe as policë civilë me koka të rruara që sillen rreth e përqark ndërtesës ku banoj sikur peshkaqenët në lojëra kompjuteri.

Lidhur me demonstratën e 10 shkurtit të këtij viti, më kanë akuzuar në tri pika.

E para, për organizimin e turmës që kryen vepër penale. Masa protestuese nuk ka kryer vepër penale atë ditë. Vepër kriminale kanë kryer policët rumunë që vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn ndërsa plagosën 82 të tjerë. Intervenimi i policisë ishte i dhunshëm dhe me pasoja tragjike. Pasi që bllokuan me dhunë marshin tonë paqësor ata qëlluan nga afër mbi ne me qindra plumba gome (me afat të skaduar). Policët rumunë ikën nga vendi i krimit dhe u dekoruan në vendin e tyre. Gjykatat e vazhduan punën e policisë duke akuzuar viktimat e policisë për të maskuar krimet e policisë. Këto gjykata janë suplement kriminal i policisë. Drejtësia e këtyre gjykatave është drejtësi policore.

Së dyti, më akuzuan për pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Ne nuk arritëm që t'i pengojmë personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. Detyra zyrtare e tyre atë ditë ishte të na vrasin. Dhe, ata na vranë. Mbase nuk ishin të kënaqur me pasojat që i shkaktuan. Kanë pasur ndërmend që të vrasin e plagosin më shumë.

Së treti, më akuzuan për thirrje në rezistencë. Më duhet ta pranoj se kur e kam parë këtë akuzë e kam përjetuar si kompliment. Fjala 'Rezistencë' është fjala ime më e dashur pas fjalës 'Vetëvendosje'. Nëse diçka e ka lëvizur shoqërinë njerëzore përpara përgjatë historisë atëherë kjo është pikërisht rezistenca. Rezistenca e popujve dhe e njerëzve kundër regjimeve shtypëse.

Duke qenë se nuk e pranoj gjyqin nuk i pranoj as vendimet e tij. Arrestin shtëpiak nuk do ta respektoj. Zgjidhja e vërtetë për Kosovën është zgjedhja e Kosovës: vetëvendosja e popullit të saj, realizimi i vullnetit të tij. Mirëpo, ky vullnet duhet të shfaqet dhe të veprojë. Për këtë arsye demonstratat janë të domosdoshme. Ne jemi duke i intensifikuar përgatitjet për demonstratën e radhës.

Ju falemnderit që erdhët dhe kontribuat në luftimin e izolimit tim. Sikur të provoja që këtë konferencë për shtyp ta mbanim kudo tjetër, mbikëqyrja e rreptë dhe rrethimi policor i ndërtesës ku banoj janë këtu mu për ta pamundësuar atë.

Albin Kurti

Kthehu ne fillim

---------------------

 ALBIN KURTI SËRISH NGA BURGU NË ARREST SHTËPIAK!

(www.pashtriku.org - Prishtinë - 08.06.2007)

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i akuzuar për organizimin e protestës që përfundoi me dy të vdekur, është liruar nga burgu dhe është vendosur nën arrest shtëpiak.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se udhëheqësi i lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti i akuzuar për organizimin e protestës që përfundoi me dy të vdekur, është liruar nga burgu dhe është vendosur në arrest shtëpiak.

Zoti Kurti u akuzua në fillim të javës nga autoritetet e OKB-së se ka nxitur dhunën gjatë një proteste ku mbtetën të vrarë dy vetë.

 

Sot ai u lirua nga burgu

Grupi Vetvendosje ishte organizator i protestës së muajit shkurt, ku pjesmarrësit bënë thirrje për pavarësi të menjëhershme nga Serbia. Dy protestuesit u vranë nga plumbat prej gome të përdorur nga policia ndërkombëtare për të frenuar demonstruesit që po çanin një barrikadë pranë ndërtesës së parlamentit. Shumë të tjerë u plagosën gjatë protestës.

Kthehu ne fillim

-------------------------

 ALBIN KURTIT PADITET PËR DEMONSTRIM TË DHUNSHËM!

05.06.2007

 ---------------------------

Një prokuror ndërkombëtar ka paditur sot udhëheqësin e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurtin për rolin e tij në organizimin e protestës së dhunshme ku humbën jetën dy persona dhe shumë tjerë u plagosën.

Kurti është akuzuar, të hënën, për udhëheqjen e një grupi i cili ka penguar punën e zyrtarëve policorë dhe për thirrje për rezistencë, është thënë në një deklaratë të lëshuar nga UNMIK-u.

    Kurti është arrestuar më 10 shkurt, pas protestës kundër UNMIK-ut, kur mijëra persona dolën në rrugët e Prishtinës për të protestuar kundër planit të kryenegociatorit, Martti Ahtisaari, i cili rekomandon shtetësi të mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare dhe parasheh të drejta të gjera për pakicën serbe.

Gjatë kësaj proteste, dy protestues ishin vrarë kur policët ndërkombëtarë përdorën plumba gome kur mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje tentuan ta shpërthejnë barrikadën e policisë e cila ishte vendosur para Qeverisë së Kosovës.

Kurti ishte liruar muajin e kaluar në arrest shtëpiak, por është arrestuar menjëherë pas kësaj, pasi që ai nuk kishte përfillur rregullat e lirimit të tij, duke u larguar nga shtëpia pa leje të gjykatës.

  TELEGRAFI

------------------------

 AKP-ja ky restauruesi i rikolonizimit serb të Kosovës!

AGJENCIONI I RIKOLONIZIMIT TË VJETËR DHE LUFTËS SË RE

Shkruan: Albin KURTI - 18 maj 2007 , Burgu i Prizrenit, krahu A, qelia nr. 3

(www.pashtriku.org – 27.05.2007)

------------------------ 

          Muaj më parë nëpër mediat e Kosovës promovohej Agjencia Kosovare e Pronës kryesisht përmes shkurtesës së saj KPA. Ky promovim duke qenë i përgjithshëm e linte spektatorin indifirent. Mirëpo, për vetëm dy javët e para të këtij muaji janë botuar tre numra të gazetës së KPA-së si shtojcë në të përditshmen “Kosova Sot”. Titulli i numrit të parë ishte pyetja: “A keni pranuar njoftim lidhur me ndonjë kërkesë të KPA-së?” Secilit nga ne i bëhej kjo pyetje. Misioni i KPA-së është masiv.

          Në përshkrimin e kësaj agjencie thuhet se “KPA është themeluar sipas Rregullores së UNMIK-ut 2006/10 të datës 4 Mars 2006, dhe agjencioni ka juridiksion ekskluziv për të zgjidhur kërkesat për riposedim të pronës së patundshme private, përfshirë pronat komerciale dhe tokën bujqësore, direkt të ndërlidhura si rezultat i konfliktit të armatosur të viteve 1998 dhe 1999.” Përveç që përsëritet se në Kosovë nuk kishte luftë (agresore të Serbisë dhe çlirimtare të Kosovës) por (vetëm) konflikt të armatosur, ky konflikt konsiderohet i kufizuar në periudhën ndërmjet 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999 ashtu siç definohet në nenin 3 të Kapitullit II të Rregullores tjetër të UNMIK-ut për këtë çështje, asaj Nr. 2006/50. Kjo periudhë përjashton uzurpimet e pronave të shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta, sikurse edhe shpronësimet, dëbimet dhe kolonizimet e Kosovës përgjatë tërë shekullit XX. Në mënyrë eksplicite thuhet se KPA-ja nuk ka juridiksion mbi kërkesat që kanë të bëjnë me “humbjen e posedimit të pronës gjatë nacionalizimit të mëparshëm”. Të përjashtuar nga KPA-ja janë edhe 11.564 shqiptarët e dëbuar nga veriu i Mitrovicës në shkurt të vitit 2000, pronat dhe banesat e të cilëve i shfrytëzojnë serbët atje. Periudha e përcaktuar nga KPA-ja i shkon aq shumë përshtati Serbisë.

KPA-ja pohon se është agjenci e pavarur pikërisht për shkak se është plotësisht e varur. Ajo mbështetet në dy rregulloret e lartëpërmendura të UNMIK-ut; kryesues i Bordit Mbikëqyrës është zëvendësi i PSSP-së, Steven Schook; pesë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës janë të emëruar nga PSSP-ja (dy prej të cilëve të nominuar nga Kryeministri, gjithnjë nën mëshirën e PSSP-së); Komisioni për Kërkesa Pronësore, si organ vendimmarrës, përbëhet nga dy anëtarë ndërkombëtar dhe një vendor, që të gjithë të emëruar nga PSSP-ja; PSSP-ja cakton drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Sekretarisë ekzekutive (i dyti i emëruar nga Kryeministri); trupi gjykues i Gjykatës Supreme që vendos për ankesat i ka tre gjykatës (dy ndërkombëtar dhe një vendor) të autorizuar nga PSSP-ja (sipas nenit 12.8 në Kapitullin IV të Rregullores Nr. 2006/50). Nëse kjo është pavarësia unë nuk e di se çka është varësia

Juridiksioni i KPA-së është ekskluziv. Nuk mund të dorëzohen më kërkesa nëpër gjykata vendore. Kërkesat e paraqitura atje para themelimit të KPA-së si dhe ato të ish-Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore (HPD), që është shndërruar në KPA përmes Rregullores Nr. 2006/10, i kalohen KPA-së.

Të gjithë ata të cilët kanë pranuar njoftimin lidhur me ndonjë kërkesë për pronën, KPA-ja i fton që të përgjigjen brenda 30 ditëve nëse dëshirojnë të bëhen palë në kërkesë, meqë KPA-ja mund të lëshojë urdhër që mund të ndikojnë në të drejtat potenciale mbi pronën pa ndonjë paralajmërim të mëtejmë!

KPA-ja ka bërë një listë prej 13 dokumenteve përmes të cilave mund të kundërshtohet kërkesa. Nuk ka dyshim se shqiptarët në garën e dokumenteve me serbët (të cilët pretendojnë të kenë qenë pronar ose posedues/shfrytëzues ligjor apo bartës të së drejtës së banimit mbi pronën) zakonisht do të dalin humbës.

Deri më tani më shumë se 20.000 kërkesa pronësore janë paraqitur në KPA (shumica dërrmuese e këtyre për prona bujqësore) rreth 5.000 prej të cilave janë botuar në tre numrat e gazetës së KPA-së si të notifikuara. Vetëm 10% e kërkesave janë dorëzuar në zyrat e KPA-së brenda Kosovës ndërsa të tjerat në zyrat e saj në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Një e treta e kërkesave janë për pronat në vetëm tri komuna të Kosovës: në komunën e Burimit, Klinës dhe atë të Pejës. Kjo vetëm sa e vërteton aspiratën e Serbisë për marrjen e pjesës veriperëndimore të Kosovës, që ka vazhdimësi territoriale me Zubin Potokun, mu ashtu siç e ka paraqitur Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh para një viti në hartën: “Decentralizimi ð Ndarje, Ndarja ð Luftë”. (Ka një film të Hitchcock-ut me titull “Veri – Veriperëndim”!)

Në mënyrë që pronat që do të kthehen të mos mbesin të zbrazëta, KPA-ja ka përpiluar edhe një skemë qiradhënie për pronat banesore që i ka nën administrim përfshirë këtu ato 5.000 sosh të ’trashëguara’ nga HPD-ja. Sa për ilustrim, ja një situatë që do të bëhet tipike meqenëse e pashmangshme dhe e përhapur kudo: familja shqiptare e dëbuar nga banesa e saj në fillim të viteve të ’90-ta prej policit serb që aty e vendosi familjen e vet, do të ridëbohet sërish tash, por kësaj radhe në banesë do të mund të vendoset me qira një tjetër familje shqiptare. Kësisoj do të shkaktohet konflikti ndërmjet shqiptarëve mbase edhe i soditur nga polici serb diku në Serbi. Nëse do të ketë rezistencë nga familja që aktualisht ndodhet në banesën e vet, SHPK-ja (sërish shqiptarë!) do të jenë aty që ta zbatojnë vendimin – dëbimin me dhunë dhe konfiskimin.

          KPA-ja pret që në të ardhmen e afërt t’i bëhen mbi 100.000 kërkesa. KPA-ja do të shndërrohet në një shkurtesë të urryer. Sepse, ajo është agjencion që do të krijojë mundësinë për restaurimin e rikolonizimit serb nga shekulli i kaluar, e të dëmtuar në këtë fillimshekull. Por, jo vetëm kaq. Siç më tha një i burgosur përderisa po diskutonim për këtë temë: edhe nëse asgjë tjetër nuk do ta sjellë luftën e re në Kosovë ky mision i KPA-së e garanton atë. Dilema transformohet: është me apo pa paramendim kjo?       

Kthehu ne fillim

-------------------------

 Albin Kurti flet para gazetarëve

GJYKATAT E UNMIK-ut NUK UDHËHIQEN NGA SUNDIMI I LIGJIT POR NGA

 SUNDIMTARËT E LIGJIT!

 

 Albin Kurti flet para gazetarëve

 Prishtinë, më 11 Maj 2007

Burgjet e gjykatave që i vazhdojnë plumbat e policisë 

Më 10 shkurt të këtij viti, policia nuk e kishte sjellur tërë atë armatim në rrugën ‘Nëna Tereze’ për ta ekspozuar por për ta përdorur. Plani i tyre kriminal pati pasoja kriminale: u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj (dëshmorët më të rinj të Kosovës), u plagosën 82 demonstrues, 15 u arrestuan ndërsa u rrahën e lënduan dhjetëra të tjerë. Që nga 10 shkurti i vitit 2007, UNMIK-u nuk është vetëm regjim antidemokratik dhe neokolonialist por edhe regjim terrorist. Vrasjet me paramendim të civilëve dhe mbjellja e frikës dhe panikut në masë janë dy karakteristikat themelore të terrorizmit. Që të dyja këto i kishte policia e UNMIK-ut me 10 shkurt.

Urdhëri politik ishte i Steven Schook-ut kurse urdhëri operativ i Steven Curtis. Steven Curtis dha dorëheqje në mënyrë që Steven Schook të mos jepte dorëheqje. Paraprakisht, Steven Schook e kishte njoftuar edhe Grupin Negociator, anëtarët e të cilit ishin pajtuar me planin e tij policor. Fatmir Rexhepi dha dorëheqje që të mos jepte Qeveria e Ksovës dorëheqje. Ndërkaq, Sheremet Ahmeti nuk dha dorëheqje sepse UNMIK-u donte kështu. UNMIK-u më lehtë e zëvendëson Steven Curtis sesa Sheremet Ahmetin në të cilin ka investuar shtatë vjet. Ndonëse Sheremet Ahmeti ishte vartës i Steven Curtis, ai ishte investim më i madh dhe më afatgjatë i UNMIK-ut se Steven Curtis.
Leja për vrasjen e demonstruesve me 10 shkurt u pasua me lejen për ikjen e vrasësve. Tash, duke u përpjekur që ta zbusin këtë disi, burgimin tim e zëvendësuan me arrest shtëpiak rigoroz. Duke qenë se regjimi në Kosovë nuk po mundet të ndikojë në mua, ai do që unë të mos ndikoj në Kosovë.
Vazhdimi i paraburgimit është vetë dënimi. Burgjet e gjykatës janë vazhdimësi e plumbave të policisë. Edhe 30 ditë, edhe 60 ditë, edhe 30 ditë të tjera, e kështu me radhë, tamam si natyra e UNMIK-ut. Gjykata asnjëherë nuk merrej me veprimet e mia në të kaluarën por me spekulimet për veprimet e mia në të ardhmen. Jo me atë që bëra por me atë që mund të bëj. Nuk merrej me veprimet e mia por me karakterin tim. E unë, merresha me karakterin e gjykatës që është tërësisht politik. Për ta shpjeguar situatën e tyre dhe atë të Kosovës.

Për vazhdimet e rregullta dhe arbitrare të paraburgimit i përdornin disa gjoja-arsyetime:

•    Thanë që nuk bën të më lirojnë meqë unë do të mund të ikja nga Kosova. Sikur të ishin të bindur që do të ikja nga Kosova me siguri do të më lironin. Halli i tyre është se unë do të mbetem në Kosovë.

•    Thanë se do të mund ta përsërisja veprën. Unë nuk jam fajtor për atë që kam bërë. Do të isha fajtor sikur të mos e bëja atë që bëra. Dhe, për shkak se nuk ka ndryshim rrethanash dhe sistemi, do të jem fajtor pikërisht nëse nuk e përsëris veprën.

•   Thanë se do të mund t’i frikësoja dëshmitarët. Janë dëshimtarët ata që janë të frikshëm: policët ndërkombëtar të 10 shkurtit që janë ose vrasës ose bashkëpjesmarrës në vrasje.


Unë nuk jam mbrojtur në gjykatë por kam përfaqësuar veten duke sulmuar UNMIK-un. Ahmet Hasolli nuk është avokat i imi siç po thuhet nëpër media. Ai është caktuar nga gjykata. Pra, Ahmet Hasolli është zgjedhje e gjyqit, gjithnjë të papranueshëm për mua, dhe jo zgjedhje e imja. Dokrrat e tij për kinse objektivitetin e gjykatës dëshmojnë se jo vetëm juridikisht por edhe praktikisht ai është avokat i gjykatës dhe jo imi.

Gjykatat e UNMIK-ut nuk udhëhiqen nga sundimi i ligjit por nga sundimtarët e ligjit. Viktima të tyre janë edhe shumë luftëtarë të shquar të UÇK-së të cilët ata i mbajnë peng. Rasti më skandaloz është ai i komandantit Naser Shatri i cili vuan dënimin e shqiptuar 16 vjet më parë nga gjykatat e Serbisë.

Unë s’kam nevojë dhe as respekt për drejtësinë e këtyre gjykatave politike. Gjykatat politike kanë nevojë për drejtësi. Jam plotësisht indiferent ndaj vendimeve të gjykatës dhe nuk i përfilli ato. Gjykatat që s’janë të pavarura s’kanë se si të jenë të drejta. Pavarësisht prej tyre dhe vendimeve të tyre unë do të vazhdoj aktivitetin politik në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e cila është e vetmja opozitë e vërtetë dhe e vetmja opozitë që ka kuptim në Kosovë. Aktualisht gjashtë aktivistë të Lëvizjes sonë (Sali Zyba, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Arbnor Dehari, Hasan Hajdari dhe Blerim Maçastena) ndodhen nëpër burgjet e UNMIK-ut. Ata janë vetëm njëri prej treguesve të panumërt të shtypjes në Kosovë.

Demonstruesi i cili me 10 shkurt u arrestua nga karabinierët përderisa thërriste VETËVENDOSJE! është dëshmi se në Kosovë ka liri të shprehjes atëherë kur nuk thua VETËVENDOSJE!. Dhe, se ka liri të lëvizjes vetëm para televizorit për t’i dëgjuar gënjeshtrat e negociatorëve. Liria e lëvizjes vlen brenda në shtëpi dhe jo në rrugë. Mirëpo, mu në rrugë është liria, liria që duhet ta marrim.

Albin Kurti

Kthehu ne fillim

--------------------------------------

  Pa ushtri kundër Çubriloviqit?!

PAKON E AHTISAARIT NUK E KA REFUZUAR KOSHTUNICA E AS TADIQI, ATË E KA

REFUZUAR VASO ÇUBRILLOVIQI!

 Shkruan: Albin Kurti

Burgu i Prizrenit, krahu A, qelia nr. 3

Më 04.05.2007

 ---------------

Pakon e Ahtisaarit nuk e ka refuzuar Vojislav Koshtunica e as Boris Tadiq. Pakon e Ahtisaarit e ka refuzuar Vaso Çubriloviq. Në memomrandumin e tij famëkeq të vitit 1937, ndër të tjera, ai shkruan edhe këtë: “Shqiptarët nuk mund të dëbohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual. (…) Rruga dhe mënyra e vetme për t’ia dalur mbanë me ta është forca brutale e një shteti të organizuar, me çka ne kemi qenë gjithmonë superior ndaj tyre. (…) E vetmja metodë për zgjidhjen e këtij problemi është zhvendosja masive e shqiptarëve. (…) Statistikat tona të periudhës 1921 – 1931 gjithashtu tregojnë se pjelloria e grave shqiptare e kanë mundur politikën tonë kolonizuese.” Pakoja e Ahtisaarit ia tjetërson trashëgiminë kulturore Kosovës, e betonon ndarjen institucionale dhe territoriale mbi baza etnike, dhe krijon mundësinë për rikolonizimin e Kosovës – kthimin e serbëve ku ata duan dhe formimin e mëtutjeshëm të komunave të reja për ta. Mirëpo, pakoja e Ahtisaarit nuk i shpërngul shqiptarët menjëherë dhe masivisht. Ajo është shansi për ta bërë këtë gradualiasht. Andaj nuk i pëlqeu Vaso Çubriloviqit. Pakoja e Ahtisaarit është diakronike. Çubriloviqi preferonte zgjidhje sinkronike.

Gjatë viteve të ’90-ta Milosheviqi sillte në Kosovë refugjatë serbë nga Bosnja e Kroacia ndërkohë që rriste trysninë mbi shqiptarët gjë që rezultoi me mbi 300.000 shqiptarë nga Kosova që morrën botën në sy. Në vitin 1999 Milosheviqi iu kthye Çubriloviqit: i deportoi jashtë Kosovës afër një milion shqiptarë duke përfituar nga bombradimet ajrore të NATO-s që nuk u përcollën me trupa tokësore. Suksesi i Milosheviqit nuk ishte i qëndrueshëm meqë ai nuk e përfilli një tjetër sugjerim të Çubriloviqit. Shtëpitë dhe banesat e boshatisura të shqiptarëve nuk i mbushi me kolonizatorë serbë. Milosheviqi nuk e kishte përgatitur masën prej qindra mijëra civilëve serbë që do të zinin vendet e zbrazura nga shqiptarët.

Në fund të muajit prill të këtij viti, disa mijëra serbë u grumbulluan në pikën veriore kufitare të Kosovës. Ata ishin mostra simbolike e 220.000 ‘refugjatëve’ serbë me të cilët kërcënon Serbia e Koshtunicës dhe Tadiqit duke qenë të vetëdijshëm për lëshimin që bëri Milosheviqi. Mobilizimet aktuale të vullnetarëve serbë për luftën e ardhshme në Kosovë i ngjajnë aq shumë depërtimit të formacioneve çetnike të cilat i propozonte Çubriloviqi. Xhandarmëria serbe në dy vitet e fundit i ka intensifikuar kalimet dhe provokimet në komunën e Dardanës në të cilën nuk ka fare, ashtu siç nuk kishte asnjëherë, prezencë të TMK-së. Në anën tjetër, dihet që rreth 130.000 serbëve që janë në Kosovë askush nuk ua ka prekur armatimin që ua ka lënë Milosheviqi i cili, sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s, i pat militarizuar që të gjithë ata. Djegia e pyjeve, posaqërisht në Besianë që kufizohet me Serbinë por edhe me Leposavqin në veri, si dhe djegiet në komunën e Burimit që kufizohet me Zubin Potokun, nuk janë aspak të rastësishme. Serbia po përgatit terrenin që ta zgjerojë veriun e Kosovës dhe jo vetëm ta pamundësojë çlirimin e tij. Ndërkohë, flitet edhe për ngrehje tendash në Maqedoni që do të shërbenin për fushimin e refugjatëve.
Serbia e refuzoi pakon e Ahtisaarit jo vetëm për shkak se atë e ka kur të dojë. Dhe, jo vetëm për shkak se synon që përmbajtjen e saj ta bëjë edhe më të dëmshme për Kosovën. Serbia e refuzoi pakon e Ahtisaarit sepse kështu tha Vaso Qubriloviqi.
Bashkësia ndërkombëtare si ndërmjetësuese në negociatat e Prishtinës me Beogradin nuk do ta bombardojë Serbinë për shkak të refuzimit të saj. Çështja e Kosovës, siç është kurthuar në KS të OKB-së, do të mbetet e bllokuar përderisa Serbia (dhe Rusia) do të jetë e pakënaqur dhe përderisa shqiptarët e Kosovës të presin e durojnë. Nëse trimërohet Kuvendi i Kosovës dhe e shpall pavarësinë e Kosovës kjo gjë nuk do ta bënte të pavarur Kosovën por vetëm veriun e saj. Veriu përfundimisht do ta legalizonte pavarësinë dhe shembullin e tij do ta ndiqnin edhe enklavat në brendi të Kosovës.
Pakoja e Ahtisaarit edhe ashtu nuk e konsideron problem veriun e Kosovës të cilit vetëm sa ia shton edhe një komunë të re serbe. Pakoja e Ahtisaarit problematizon pjesën tjetër të Kosovës për të cilën parasheh metamorfozë të llahtarshme përmes copëtimit e tjetërsimit.

Funksioni i deklaratave për njohjen e pavarësisë nga SHBA-të pa rezolutë të re të KS të OKB-së konsiston në balansimin e kërcënimeve të Rusisë me veto. Edhe nëse SHBA-të e njohin pavarësinë e Kosovës pavarësisht nga KS i OKB-së nuk do të përfitojmë asgjë nga një njohje e tillë nëse asaj nuk i paraprin armatosja e shqiptarëve të Kosovës nga SHBA-të ose së paku leja e SHBA-ve që Kosova të armatoset nga Shqipëria. SHBA-të e patën njohur edhe Bosnje e Hercegovinën si shtet të pavarur e sovran në fillim të vitit 1992. Por, të gjithë e dimë se çka ngjau pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë (së cilës madje iu vendos edhe embargoja e armëve) nga viti 1992 e deri në vitin 1995.
KFOR-i s’na mbron dot. Dëshmi për këtë është tolerimi tetë vjeçar i strukturave të Serbisë dhe i veriut të ndarë. Dëshmi për këtë është soditja që KFOR-i i bëri spastrimit të veriut të Kosovës nga shqiptarët në shkurt të vitit 2000. Njohja e Kosovës së pavarur nga SHBA-të apo shtetet tjera është veçse kundërproduktive përderisa nuk na lejojnë të kemi ushtrinë tonë.
Milosheviqi asnjëherë nuk e pranoi se Serbia kishte luftuar në Bosnje. Serbia nuk do ta pranojë se ajo e sulmoi Kosovën: do të thotë që serbët lokal (të cilët ajo i pajis me armatim shtesë dhe oficerë ushtarakë) u revoltuan.
Negociatorët kosovar e nënçmojnë Serbinë (dhe Rusinë) pikërisht që mos të detyrohen të mendojnë për këto skenare gjithnjë e më të gjasshme. Nëse nuk ndryshon diçka radikalisht, shumë shpejtë do të vie koha kur dallimi më i rëndësishëm nuk do të jetë se kush luftoi e kush s’luftoi në luftën e kaluar, por kush lufton (sërish) e kush jo në atë të ardhmen. E atëherë, problemi kryesor do të jenë pasojat që do t’i regjistrojë historia e të ardhmes sonë: humbja e mëtutjeshme dhe e pashmangshme e pjesëve të territorit tonë si rezultat i zhvillimit të edhe një lufte tjetër vetëm në trevat tona.

Kthehu ne fillim

 -------------------------------------------

 Kosova- skena  e teatrit të kukullave politike!

 PROCESI I ZBRAZJES POLITIKE NGA FORCA DHE KRIJIMI I USHTRISË SË

POLITIKANËVE PA USHTRI!

Shkruan: Albin Kurti

Burgu i Prizrenit, krahu A, qelia nr.3

Më 30 prill 2007

--------------------

Krejt çfarë ka bërë procesi negociator që rezultoi me pakon e Ahtisaarit është zrbitja e kërkesës kosovare nga pavarësia e plotë dhe pa kushte në pavarësi të mbikëqyrur me decentralizim etnik dhe „eksterritorialitet“ fetar përbrenda. Këtë zbritje e aprovoi edhe Kuvendi i Kosovës, me aklamacion dhe pa debat, duke dëshmuar për kushedi të satën herë me radhë që Kuvendi i Kosovës realisht nuk është Kuvend e aq më pak i Kosovës. Marrëveshja apo vendimi përfundimtar për statusin e ardhshëm të Kosovës janë ende larg dhe më të pasigurta se që besohet, mirëpo, është e sigurtë se zbritja e kërkesës do të përkthehet në zbritje të rezultatit. Jo vetëm kaq. Zbritja e përgjithshme e kërkesës nënkupton zbritjet e veçanta. Më e rëndësishmja, që do të thotë më e rënda, është se TMK-ja nuk do të bëhet ushtri dhe ushtria e premtuar maksimalisht do të jetë vetëm FSK, shkurtesë kjo për Forcat e Sigurisë së Kosovës.

-Së pari, ajo nuk do të quhet ushtri dhe as armatë sepse, thjesht, nuk do të jetë e tillë.

-Së dyti, FSK me armatim të lehtë, numër aq të paktë të pjesëtarëve (2500), dhe nën tutelën e huaj, jo vetëm që s’ka të bëjë me ushtrinë apo armatën, por ajo do të jetë e brishtë edhe për sigurinë e vetes së saj e lëre më për atë të Kosovës.

Shqetsimet fillestare, edhe ashtu të vakëta, të TMK-së u fashitën kur fjala ‘shpërbërje’ u zëvendësua me fjalën ‘shuarje’ (pra TMK-ja nuk do të shpërbëhet por do të shuhet) dhe atëherë kur iu premtuan pensione pjesëtarëve ca më të moshuar të saj dhe atyre që s’do ta kalojnë provimin pranues për FSK. Krerët e TMK-së u ndanë të kënaqur që TMK-ja do të shuhet pa u shpërbërë ndërkaq për pakënaqësinë e niveleve tjera në drejtim të bazës nuk do të mësojmë asgjë asnjëherë përderisa ajo pakënaqësi nuk shndërrohet në rezistencë. Nëse i dramatizojmë ca dallimet në një këso situate gjithsesi të mjerë, shprehja ‘shuarje’ mua më ngjanë të jetë më e pafavorshme sesa ajo ‘shpërbërje’. Nëse diçka shpërbëhet kjo ende s’është shuarje – elementet e shpërbëra mund të mos shuhen. Kur diçka shuhet, vetëm përmendja e mosshpërbërjes është ofenduese për inteligjencën e njeriut. Për çfarëdo inteligjence të cilitdo njeri. Megjithëkëtë, është dëshpëruese përpjekja sqaruese për atë që ka vendosur që me çdo kusht t’ia bëjë qejfin vetes. Kur do të duket tragjik, do t’i dukesh qesharak. Dhe anasjelltas.

Qytetarët përherë ruajtën respektin dhe vlerësimin e lartë për TMK-në. Për shkak të së kaluarës së saj të lavdishme – ushtri që çliron popullin; për shkak të së ardhmes së saj që shpresonin të jetë e ndritshme – ushtri që do ta mbrojë vendin. TMK-ja përjetohej si një moment që porsa erdhi dhe sapo nuk ka ikur: ndërmjet të shkuarës që ishte dëshmi dhe të ardhmes që ishte premtim i shndërruar në bindje.

Në të vërtetë, procesi është tjetër sepse projekti ishte tjetër. Dhe, mbase gjërat kanë një fillim më të hershëm sesa që duket, dhe më determinues sesa që dëshirohet. Po të thuhej në verën e vitit 1999 se UÇK-ja duhet të shuhet (ose shpërbëhet, si të doni!) reaksioni i fuqishëm do të ishte i pashmangshëm. Andaj, thanë se UÇK-ja ‘vetëm’ do të transformohet në TMK. Ashtu edhe bënë. Transformimi kishte kuptimin e çarmatosjes që kompenzohej përmes simbolizmave: TMK-ja kishte uniforma, kazerma, flamur dhe emblemë, kishte madje edhe grada, por… s’kishte armatim!

Komandantë të saj dhe komandantë të dikurshëm të UÇK-së, nga të gjitha zonat operative, arrestoheshin e dënoheshin nga gjyqet e UNMIK-ut. Qëllimi ishte që ata të diciplinoheshin, të zbuteshin, dhe më pas t’i bashkoheshin kontigjentit të politikanëve servil të partive politike. Luftëtarët prijës që e dinin rëndësinë e angazhimit vetjak dhe gëzonin respektin e ish-ushtarëve të UÇK-së, që kishin ngadhënjyer nëpër beteja frontale dhe ishin përplot vetëbesim, ishin bërë shënjestër e drejtësisë politike të UNMIK-ut. Njeriu nuk mund të dal nga burgu dhe të mbetet i njëjtë ashtu sikundër hyri. Ai ose do të bëhet më radikal ose do të zbutet. Komandantëve të TMK-së e UÇK-së, pa përjashtim, u ngjau kjo e dyta. Ata u zbutën. Burgu i zbuti. E braktisën TMK-në (këtë ushtri të dikurshme dhe kinse ushtri të ardhshme), e zhveshën uniformën, u pispillosën me sako e pantollona të hekurosura, me këmisha të shkëlqyeshme, me xhel për flokë edhe më të shkëlqyeshëm, me livandë kundërmuese e buzëqeshje plastike, me një fjalë e prenë biletën për t’u ngjitur në skenën e teatrit të kukullave politike. Skenarin nuk e lexuan dhe as që donin t’ia dinin për të kurse aftësia për aktrim nuk çonte peshë meqenëse regjimi, atëherë kur nuk i linte si spektatorë, edhe ashtu veçse improvizime kërkonte prej tyre. Kishte edhe komandantë të tillë që u lejuan të pasuroheshin për t’ua pasuruar dosjet për t’i bërë të dëgjueshëm edhe pa burg. Me shkop, me karrotë, apo me të dyja këto ngapak, përfundimi i tyre ishte i njëjtë. Skema: komandantë të pasur, ushtarë të varfër, garantonte përmbushjen e dy synimeve kryesore: diskreditimin dhe demoralizimin.

Gati tetë vjet më vonë, po kurorëzohet ajo që s’bëhej dot atëherë dhe menjëherë. Po shuhet përfundimisht UÇK-ja (ose po shpërbëhet ajo, si të doni!) vetëm se thuhet se është TMK-ja ajo që po shuhet (ose po shpërbëhet ajo, si të doni!) meqenëse tingëllimi i këtillë është më pak i vrazhdë për veshin paçka që kuptimi dhe efekti janë po ata. Pasi që e çarmatosën strukturën dhe e rraskapitën mirë e mirë, tash po e zhbëjnë atë tërësisht duke e fshirë legalisht dhe juridikisht, duke e shpronësuar materialisht, duke e rrënuar moralisht. Plotësonin të shkretit standarde, norma e kushte arbitrare që vetëm sa i shpejtonin drejt vdekjes së tyre.

Se TMK-ja ishte prej fillimit një anije e thyer që po fundosej, më së miri e dinte vetë kapiteni i saj Agim Çeku, i cili gënjente për anijen dhe destinimin e saj që të mund të braktiste me kohë atë ashtu siç edhe bëri. Me vete i mori edhe disa eprorë që brenda natës i bëri këshilltarë për tri arsye: që të mos ndjehej i vetmuar, të dukej më serioz, dhe ta brente më pak ajo pak ndërgjegje që ka. Mirëpo, ai vazhdoi që ta fshehte thyerjen e anijes dhe të gënjente për portin e arritjes së saj, edhe pas arratisjes nga anija në mënyrë që të mos vepronin edhe shumë të tjerë sikur ai. Ngjashëm patën vepruar edhe gjeneralë të tjerë, tashmë gjithashtu politikanë, të cilët mu atëherë kur po iknin nga TMK-ja intensifikuan deklaratat se si TMK-ja është në rrugën e duhur e bile nisën të thonë edhe se si ajo është ushtri! Nuk mund të thuhet se ata ishin aq të padijshëm saqë s’kishin haber se çka është ushtria. Më parë, donin që të mos i bënin të ndjeshëm ‘shokët’ që po i braktisnin.

Këto ditë filloi edhe faza e re e rrjedh(j)es së vjetër. Rrustem Berisha, komandant i Akademisë së Mbrojtjes në kuadër të Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK do ta lë TMK-në për postin e zëvendësministrit të brendshëm. Partitë politike (në këtë rast LDK-ja) po gjejnë e sajojnë vende për eprorët e TMK-së në politikë e qeveri, vende këto që u ngjajnë barkave shpëtuese që varen anash anijes në rast fundosjeje. Barka shpëtuese nuk do të ketë për pjesëtarët e TMK-së pa grada të larta, ashtu sikurse që nuk kishte barka shpëtuese në anijen “Titanik” për shtresat e varfëra.

FSK do të jetë e ngjashme me SHPK-në vetëm se më e dobët se ajo. Fryma e UÇK-së nuk do të jetë në FSK ashtu siç nuk është më në SHPK. Do të mbretërojë aty një tjetër frymë, fryma projugosllave; dhe, sa më lart që do të ngjitesh në piramidën e saj do të të përforcohet ndjenja: kuadro të ish-sistemit, ndonëse ca më të thinjur, ose mutacione e reinkarnacone të tyre. Do ta lënë aty edhe ndonjë ish komandantë të UÇK-së sa për të thënë, e i cili ose do të bëhet si rrethi i tij ose do të zgjohet çdo mëngjes me mendimin për dorëheqje. Ka ndonjë të tillë, të këtij llojit të dytë, edhe sot në SHPK, një lloj ky gjithsesi në zhdukje e sipër.

E gjithë kjo është veçse proces i zbrazjes politike të politikës nga forca. I krijimit të ushtrisë së politikanëve pa ushtri, të cilëve s’ka se çka u duhet njohja e pavarësisë që s’mund ta mbrojnë, s’ka se çka u duhet pranimi i sovranitetit që s’mund ta vendosin, s’ka se çka u duhet shpallja e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës që vetëm sa do ta shkaktonte pavarësinë e veriut dhe të enklavave serbe në jug të Ibrit.

Zbritja e përgjithshme e kërkesës nënkupton zbritjet e veçanta. Nëse shërbehemi me metaforën e thyerjes (së anijes) te zbritja e veçantë edhe në rastin e zbritjes së përgjithshme të kërkesës, atëherë do të mund të thoshim se këmba e thyer po ngjitet gabimisht përmes pakos së Ahtisaarit, këtij gipsi joadekuat me formë të gabuar. Në qoftë se lejojmë që kjo ngjitje e shtrembër të vihet në jetë, do të na duhet ta thyejmë sërish këmbën për një ngjitje të re e të duhur.

 Kthehu ne fillim

--------------------------------------------------

 REFRENI PËRSHPËRITËS I POLITIKANËVE -  Sh.sh.sh.sh…tttt!

Shkruan:Albin Kurti

(20 prill 2007; Burgu i Prizrenit,

krahu A, qelia nr.3)

--------------------------------------------------------------------

“Varfëria është simptom: Robëria është sëmundja’ Bertrand Russell në eseun “Bota ashtu siç mund të bëhej”

 Diciplinimi gjithnjë e më pak i nevojshëm i politikanëve kosovarë, edhe në të ardhmen do të jetë instancë e Përfaqësuesit Special Ndërkombëtarë si sovran. Andaj, ata do të pëshpërisin si ngahera. Pëshpëritja është egzistenca e tyre. Pëshpëritjen deri në heshtje totale, do ta kërkojnë edhe nga qytetarët përmes refrenit të tyre që nuk do të përfundojë asnjëherë përderisa të respektohet: Shshshssh... -E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që ne të rrimë këtu lartë)

 ***

Në shekujt XIX dhe XX industrializmi, aty ku nuk e ka krijuar, e ka rritur nacionalizmin. Dhe, i ka forcuar shtetet. Së paku një shekull më vonë, në Kosovë, ka aq shumë tregti dhe fare pak industri. Tregtia ishte karakteristikë e sistemit feudal, e kohës kur mbizotëronin perandoritë. Madje, për më keq, e vetmja industri që funksionon në Kosovë është kompania që më së shumti urrehet nga qytetarët – KEK-u. Në vend që të eksportojë, KEK-u importon energji elektrike; në vend që ta rrisë buxhetin e Kosovës, e shterrë atë; në vend që të jetë bazë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, është shndërruar në pengesë për të. E gjithë kjo duke pasur parasyshë resurset e mëdha energjetike të Kosovës dobia e të cilave u ndje fuqishëm veçanërisht në vitet ’70-ta, fatkeqësisht jo vetëm nga Kosova.

        Stagnimi ekonomik i Kosovës që pasohet me rënie të vazhdueshme dhe të shpejt sociale ka një adresë të thjeshtë dhe të qartë – AKM-ja.  Ajo disponon me pasuritë e Kosovës dhe kapacitetet e saj zhvillimore. Mirëpo, për vite me radhë ajo ka zotëruar për të bllokuar, ndërsa zhbllokimi ishte një shitje e të mirave publike dhe shoqërore të Kosovës. Përveç që kjo shitje parimisht është vjedhje e djersës dhe kontributit të popullit, ajo u përcoll me vjedhje brenda vjedhjes, me kënaqje interesash të llojllojshme në kurriz të interesit të përgjithshëm  që s’përfillej aspak. Për ta legjitimuar këtë proces kanë inkuadruar ekspertë të ndryshëm kosovarë që thuhet të kenë mbaruar shkolla jashtë vendit, por të cilët nga perëndimi më parë se dijen kanë marrur veçse stilin e jetesës. Ata janë agjentët e ekspertizës në ‘human resources’, temës së preferuar të turistëve ndërkombëtarë, e cila shpalos vizionin menagjerial mbi njeriun si pjesë përbërëse të teknologjisë duke e instrumentalizuar atë. Ndërkaq, anën praktike të privatizimit e legjitimojnë përfituesit: krerët politik të fshehur prapa emrave të kusherinjëve të tyre dhe jo pak ish komandantë të UÇK-së që i janë bashkuar biznesmenëve tashmë të rehabilituar që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Serbinë.

   Ndalja në gjysmë e luftës çlirimtare rezultoi me hegjemoni reaksionare: jo vetëm që nuk u përmbys shtresa që pasurohej nga kolaboracionizmi, por ajo u zgjeruar me biznesmenët e rinj nga rradhët e komandantëve të dikurshëm të UÇK-së. Përqëndrimi i burokratëve ndërkombëtar të AKM-së, natyrisht, ishte aty ku janë paratë e mëdha: PTK, KEK, Aeroport, etj... Vjedhjet më të mëdha nuk janë bërë prej ndërkombëtarëve që vijnë nga vendet e Botës së Tretë, por pikërisht nga ata të vendeve të BE-së. Paketa e Ahtisaarit parasheh që edhe më tutje ato të mbesin pikërisht në duar të atyre. Pasi që t´i rjepin mirë e t’i shkatërrojnë, ata do t’i shesin edhe këto pasuri kolektive të ndërtuara me dekada dhe atë me çmime banalisht të ulta. Tregu vendos për çmimin, do të na thonë! Dhënia e Aeroportit të Prishtinës me koncesion  dhe planet për Termocentralin ‘Kosova C’ janë vetëm fillimi. Sepse, privatizimi i shërbimeve komunikuese dhe i energjisë është esencial për neoliberalizmin. Privatizimi i resurseve dhe sferës publike është rruga e zhbërjes së shoqërisë. Mu këtë e duan sepse shoqëria si koncept është sfida kryesore për mënyrën e sundimit që ata dëshirojnë. UNMIK-u bënë sehirë përderisa kolapsojnë UP-ja (Universiteti i Prishtinës) dhe QKUK-ja (Qendra Klinike Univeristare e Kosovës). Zaten e tëra është tranzicion: rrënim sistematik i shërbimit publik. Mbase këta neokolonizatorët neoliberal, në instancën e fundit, edhe ta pranojnë shtetin dhe vendin, por vetëm atëherë kur ta shesin paraprakisht.

        Tërë këtë kurs paketa e Ahtisaarit do ta përforcojë. Investimi në të ardhmen i Misionit Civil Ndërkombëtar që do të ‘këshillojë’ edhe në planifikimin e buxhetit do te jetë i drejtuar kah dora e djathtë dhe e hekurt e pushtetit: në polici e gjyqësi, duke i rritur pagat dhe përmirësuar kushtet atje, duke sjellur profesionistë të akullt nga BE-ja në këto sektore. Arsimi e shëndetësia do të vazhdojnë të dergjen pa shpresë, përveç shkollave dhe ordinancave private që do të bëhen vendtakim i familjeve të biznesmenëve politikanë dhe politikanëve biznesmenë. Shumica dërrmuese e popullatës do të mbesin të vrafër dhe ose të papunë, të kurthuar në rrethin vicioz të mjerimit: arsimimi i dobët që nuk të bën konkurrues, sëmundjet për shërimin e të cilave s’mund t’i blesh barnat, skamja dhe papunësia që lënë të hapur vetëm derën e krimit dhe delikuencës. Kjo mëgjithatë nuk do ta ndalë konsumin. Prodhimi kryesor i një ekonomie të këtillë do të jetë nevoja-vendosja e njerëzve në gjendje gatishmërie për të kërkuar diçka të panevojshme. Edhe për këtë arsye do të ushqehen dallimet etnike dhe fetare. Kapitali i neoliberalizmit i do, i dëshiron dhe i krijon dallimet. Do të kemi shampon për tinejxherët muslimanë, këpucë për vajzat katolike, bluza të posaçme për asketët ortodoksë mbi moshën 30 vjeçare, pantollona të veçanta për homoseksualët shqiptarë e serbë. Pllakosja e mjerimit të masave do të përhapet ndërkohë që justifikimi i kontrollit dhe i sundimit të huaj mbi ne do të mbetet po ai.

Nuk jemi gati për t’iu lënë vetëm! Liria e plotë ju bën dëm juve! Do të na thonë fraza që kanë kuptim edhe më të rëndë se kaq, por tingëllim më të butë se kjo.

        Për shkak të mjerimit që na mbërthen nuk do të na lënë të jemi të lirë. Në fakt, për shkak se na e mohojnë lirinë, s’do të mund të dalim nga mjerimi. Në vend që të ketë zhvillim pa dominim, do të shndërrohemi – ashtu siç tashmë mbase jemi bërë – në një vend ku ka vetëm dominim dhe s’ka fare zhvillim. Diciplinimi gjithnjë e më pak i nevojshëm i politikanëve kosovarë, edhe në të ardhmen do të jetë instancë e Përfaqësuesit Special Ndërkombëtarë si sovran. Andaj, ata do të pëshpërisin si ngahera. Pëshpëritja është egzistenca e tyre. Pëshpëritjen deri në heshtje totale, do ta kërkojnë edhe nga qytetarët përmes refrenit të tyre që nuk do të përfundojë asnjëherë përderisa të respektohet: Shshshssh... E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që net ë rrimë këtu lartë)

            Mirëpo, do të vijë një ditë, më shpejt se sa që besohet, kur askush s’do të heshtë e durojë. Kur padëgjueshmëria e njerëzve do të jetë normale, gjëja më normale. Vitet me UNMIK-un, AKMN-në dhe të ngjashmit do të duken aq të turpshme. Ashtu siç edhe janë.

Kthehu ne fillim

 --------------------------------------------

 NGUJIMI NË TË PASHMANGSHMEN 

Shkruan:Albin Kurti

Spitali i Burgut të Dubravës, Dhoma nr. 51

Më 6 prill 2007

 --------------------

Gjërat e pashmangshme janë ato të cilat njeriu dosido përpiqet t’i evitojë ose së paku t’i shtyejë në kohë. Jo edhe në Kosovë. Themeli i politikës zyrtare kosovare përmblidhet në fjalinë retorike: “Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme!”. Në këtë besim bazohet kjo politikë. Me këtë besim mbështjellet kjo politikë. Pashmangshmëria e pavarësisë është lënda e parë dhe ambalazhi i politikës partiake dhe institucionale në Kosovë.

Fiks ideja e këtillë ka zhvlerësuar rëndësinë e kohës dhe konceptin e mundësisë. Duke theksuar pashmangshmërinë e pavarësisë, koha e realizimit të saj është bërë çështje e dorës së tretë. Diçka e pashmangshme edhe ashtu ngjan disi jashtëkohore. Në anën tjetër, e pashmangshmja mohon mundësinë sepse përjashton të gjitha mundësitë tjera duke degraduar kësisoj angazhimin njerëzor.

E pashmangshmja është fatale. Pavarësia e pashmangshme është fatalitet. Mbase kështu shpjegohet relaksimi i çuditshëm i njerëzve: ata besojnë se ndodhen përballë një fataliteti të mirë e të dobishëm.

Për pavarësinë nuk ka optimizëm sepse ajo konsiderohet e pashmangshme. Optimizmi kondensohet pothuajse në të gjitha çështjet tjera, publikisht i mirënjohur përmes frazës universale: “(Do të) bëhet mirë!”. Ky optimizëm pervers, ndonëse gjithpërfshirës, është po ashtu në pritje të pavarësisë që të shuhet.

Ka dy lloje të së pashmangshmes. E para është mobilizuese. Njerëzit i bashkohen me entuziazëm lëvizjes që ka destinimin pozitiv të paracaktuar. E dyta është ngujuese. Njerëzit presin që të ngjajë, dhe derisa të ngjajë, e pashmangshmja. Ky lloji i dytë dominon në Kosovë. Njerëzit e presin pavarësinë e pashmangshme. Rrjedhimisht, konsiderohet se ajo vjen te ne dhe nuk jemi ne ata që shkojmë tek ajo. Më tutje, meqë ne jemi këtu dhe pavarësia pritet që të vie, kjo do të thotë se ajo vjen prej jashtë. Ne këtu brenda vetëm sa mund ta dëmtojmë ardhjen e saj. Në këtë argumentim të tmerrshëm konsiston propaganda politike e regjimit. Mbjellet frika te njerëzit që të sigurohen se ata do të mbesin siç janë – të ngujuar dhe të heshtur. Më të shquarit nga të tillët i lavdërojnë mandej për rolin konstruktiv. Nuk duan që të ketë përpjekje tonat anipse kjo na lë në mëshirën e përpjekjeve të të tjerëve. Përpjekja në një drejtim, njëmend e ndërton edhe mundësinë për tjetër drejtim si dhe për dështim në drejtimin aktual, mirëpo mungesa e përpjekjes ta garanton drejtimin e huaj dhe dështimin vetjak.

Frikën nuk e lënë të vetmuar. Thonë që ajo që s’u realizua vetëm sa nuk është realizuar, se është fare pranë realizimit. Dhe, përherë prioritet i jipet asaj që kinse u arrit. Pakoja e Ahtisaarit gabimisht u interpretua si një hap drejt pavarësisë dhe, si zakonisht, pa përmendur se edhe sa hapa tjerë kanë mbetur dhe kur do të bëhen ata. Qëllimi është të zbutet pakënaqësia e njerëzve dhe të konfirmohet të qenit në procesin linear drejt pavarësisë së pashmangshme. Atëherë kur premtimeve përfundimisht u del boja dhe frikësimi nuk jep rezultatet e pritura, po ata politikanë bëhen të paskrupullt duke konstatuar data historike e duke shpallur qëllimi

 

n si të arritur. Makineria mediale vihet në shërbim dhe televizori ofrohet si zëvendësim për trurin. Pasojnë ndërmarrje të llojllojshme, dhe madje edhe mutacione të bindjes për pashmangshmërinë e pavarësisë, vetëm dhe vetëm që asgjë esenciale të mos ndryshojë: hierarkitë dhe projektet politike të mbesin po ato, po aty dhe mbi të gjitha.

Njerëzit normalisht duan ta vonojnë të pashmangshmen. Duke e pritur pavarësinë si të pashmangshme do të vonohet ajo. Hegjemonia e fundit të pashmangshëm diku në të ardhmen i ka bllokuar njerëzit në këtë të tashme. Njerëzit do të çlirohen kur nuk do të jenë të sigurtë (për pavarësinë). Do të veprojnë për ta bërë atë që është vullnet i tyre. Do të bëhen vullneti i tyre.

Pavarësia vjen nga jashtë (njohja) dhe ne këtu mund

 

emi vetëm ta prishim? Jo, e kundërta është e vërtetë. Pavarësia bëhet brenda (fakti) dhe vetëm nga jashtë ajo mund të prishet. Për askë nuk do të jetë i nevojshëm viti 2008 që ta kuptojë këtë.

 Kthehu ne fillim

---------------------------------------

Kolumne nga Burgu i Pejës

Letra e Albinit drejtuar demonstruesve më 31.03.2007

 PAVARËSIA E MBIKËQYRUR ËSHTË PAVARËSI E MBIKËQYRËSIT, JO E KOSOVËS !

Shkruan: Albin KURTI, Burgu i Pejës,      

Krahu D, qelia nr.8

Të dashur vëllezër e motra, Të nderuar pjesëmarrës të kësaj demonstrate

Mirëdita të gjithëve!

Pavarësia e mbikëqyrur është pavarësi e mbikëqyrësit, jo e Kosovës. Kryeadministratori i Kosovës pritet të zëvendësohet me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar. Vetëm ai do të jetë sovran në Kosovë. Sovraniteti do të jetë i përqëndruar te një person ndërkombëtar, gjë që atë e bën monark të Kosovës. Ndërkaq oligarkia e negociatorëve kosovarë do të vazhdojë të imponohet si një aristokraci politike, kurse populli i shtypur këtu poshtë do të mbetet demokracia e mohuar. Ky nuk është statusi i Kosovës për të cilin qytetarët e Kosovës u deklaruan në referendumin e vitit 1991.  Ky nuk është statusi i Kosovës të cilin qytetarët e saj do ta pranonin në një referendum të ri. Na thanë e na thonë se nuk ka nevojë për referendum meqë do të dihej rezultati i tij. Ata nuk e duan referendumin pikërisht sepse dihet rezultati, pikërisht për shkak se nuk do t'iu pëlqente ai rezultat. Popullit të Kosovës nuk i lejohet referendumi, mirëpo pakoja e Ahtisaarit do të zbërthehet edhe në ligjin për referendume për komunat e reja, me kompetenca gjithësesi shumë të gjera. Pakoja e Ahtisaarit i bën më të rëndësishme komunat e Kosovës se sa Kosovën. Për më keq, komunat e reja në Anamoravë do të sjellin kolonë të rinj serbë.  Kolonët e rinj në Dukagjin do të sjellin komuna të reja serbe atje. Komunën e Dardanës e pret fati i komunës së Medvegjës dhe i veriut të qytetit të Mitrovicës ku shqiptarët dhunshëm i bënë pakicë. Komunat e Burimit, Klinës e madje edhe Pejës janë faza tjetër e rrudhjes territoriale që po na përgatitet. Në rezistencën e politikanëve kosovar nuk mund të llogarisim meqë ajo nuk ekziston.

Projektet e huaja janë lidhur ngushtë me ambiciet e tyre vetjake. Ata nuk donin t'i thonë JO asnjë burokrati ndërkombëtar të UNMIK–ut asnjëherë. Ata nuk donin t'i thonë asnjë PO të sinqertë qytetarëve. Veprimi i politikanëve të Kosovës është vetëm përshtatje ndaj regjimit që na shtyp ndërsa reagimet e tyre joserioze harrohen porsa vërehen. Duke e duruar censurën, ata e kanë bërë atë të panevojshme, e kanë shndërruar në vetëcensurë ku ajo që është e lejueshme konsiderohet më e madhe se sa ajo që është e mundshme. Vetëm kur t'i kemi humbur iluzionet për ta, ne fitojmë qenien tonë si mundësi. E mundësia gjithmonë është mundësi për të ndryshuar. Dikur Serbia i trajtonte shqiptarët si fise barbare në mënyrë që të sillej me ta në mënyrë barbare. Në këto vitet me UNMIK–un,  poashtu edhe në vitet që po na i dizajnojnë për Misionin Civil Ndërkombëtar si pasardhës i tij, populli i Kosovës u trajtua e do të trajtohet si i papjekur për demokraci për ta sunduar atë në mënyrë jodemokratike. Sikurse gjithnjë, do të na shikojnë si të këqinj, që ta mbajnë veten si të mirë, e që më pas neve të na vulosin si të këqinj. Situatë tipike kolonialiste në këtë aspekt, që nuk përfundon pa i dhënë fund asaj. Arsye kemi pa fund. Pakoja e Ahtisaarit e përforcon dhe zgjeron Serbinë brenda Kosovës – institucionalisht dhe territorialisht. Nëse lejojmë që të realizohet në terren kjo pako, do të jenë shqiptarët ata që do të kërkojnë qëndrimin e mëtutjeshëm të Misionit Civil Ndërkombëtar në Kosovë që të mos ndahet Kosova. Dhe, mbase pas disa viteve, ndarja e Kosovës do të kërkohet prej vetë shqiptarëve të Kosovës në mënyrë që të mundemi të zhvillohemi e përparojmë.  Vetë shqiptarët do të kërkojnë amputimin e një gjymtyre duke u përpjekur të lirohen nga kanceri i sponsoruar nga Serbia brenda trupit tonë. Nën diktaturë do të rriten varfëria e papunësia. Diktatura,  sado e rafinuar, prodhon krizë. Kriza thërret diktaturën. Deri atëherë kur kriza të shpërthejë gjë që duhet të marrë formën e çlirimit popullor e social, qytetar e njerëzor.

 

Qëllimi i diktaturës është ta nxjerrë veten jashtë kohës. Qëllimi ynë duhet të jetë ta nxjerrim diktaturën jashtë hapësirës sonë. Kjo s'bëhet duke ndenjur. Diktatura nuk ik vetvetiu. Ata që e mirëpresin të ardhmen, ata presin. Ata që presin pa afatizuar do të presin përgjithmonë. Shprehja "së shpejti" që na vjen nga lart, e ka kuptimin e shprehjes "përgjithmonë" për ne popullin e Kosovës këtu poshtë. Gjersa Kosova nuk është e lirë, ajo do të ketë dëshmorë, të burgosur politik, njerëz të persekutuar e të diferencuar. Arben Xheladini dhe Man Balaj janë dëshmorët më të rinj të Kosovës. Ata ranë për vetëvendosje. Nuk e kursyen as jetën, atë që është më e çmueshmja, për vetëvendosjen, atë që nuk ka çmim. Policët vrasës nga Rumania, ashtu si dikur kolegët e tyre nga Serbia, ikën nga vendi i krimit. Kjo e dëshmon farsën e institucioneve te ne. Në Kosovën që e mbajnë të ngujuar, dhe në botën e saj që nuk e lënë të sillet, ne do të jemi dielli që nuk përendon. Politikanëve të të gjitha ngjyrave që po na gënjejnë, ky diell do t'u tregojë se janë gënjyer.

Lavdi Arbenit e Manit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Albin Kurti, Burgu i Pejës, Krahu D, qelia nr. 8

 

 Kthehu ne fillim

______________________________________

 PAVARËSIA “ALLA AHTISAARI” NË FUND - ËSHTË PAVARËSI NË FUND TË PUSIT

 

 Shkruan:Albin KURTI

Nga Burgu i Pejës

24.03.2007

Dikur politikanët e Kosovës e mbronin autonominë. Tash, politikanët e Kosovës po e mbrojnë pakon e Ahtisaarit. Dikur politikanët e Kosovës besonin se autonomia është mundësi për republikë dhe një hap drejt saj. Sot, politikanët e Kosovës deklarojnë se pakoja e Ahtisaarit është mundësi për pavarësi dhe një hap drejt saj. Autonomia e Kushtetutës së ’74-shit ishte bërë pikërisht që të mos bëhej republika. Pakoja e Ahtisaarit është ofruar pikërisht që të mos bëhet pavarësia. Ajo Serbisë ia ndërton mundësinë e pamundësimit të pavarësisë së Kosovës. Serbia drejtpërdrejtë do të financojë strukturat qeverisëse të 10+1 komunave me shumicë serbe në Kosovë.

 

 Edhe në rastin më të mirë pavarësia e Kosovës nuk do të mund t’i ngërthejë territoret e atyre komunave. Mirëpo, edhe ky rasti më i mirë nuk është i mundur sipas pakos së Ahtisaarit. Modeli i shumicës së dyfishtë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës është më se i mjaftueshëm që deputetët serbë ta bllokojnë kurdoherë shpalljen e pavarësisë dhe çfarëdo amandamentimi të Kushtetutës që nuk iu levërdisë atyre. Kjo pako e bën karakterin e sovranitetit të Kosovës etnik dhe bipolar (shqiptaro-serb) dhe realisht ia dorëzon atë Misionit Civil Ndërkombëtar i cili e zëvendëson dhe trashëgon UNMIK-un duke e pasur fjalën e fundit të autoritetit suprem dhe pushtetin intervenues të politikës policore. Ndërkohë, sovranitetin nominal të Serbisë mbi Kosovën kjo pako e lë të paprekur pikërisht duke mos e përmendur.

Pakoja e Ahtisaarit nuk është zgjidhje. Ajo sajon probleme të reja, ndërsa të vjetrat veçsa i ngrin. Sikur Kosova të ishte tashmë shtet i pavarur dhe sovran, implementimi i kësaj pakoje do t’ia zhbënte asaj pavarësinë dhe sovranitetin. Asnjë shtet i pavarur dhe sovran nuk do ta lejonte realizimin e një pakoje të tillë. Neve na e sjellin dhe shtyejnë këtë pako sepse s’jemi shtet dhe që të mos bëhemi shtet.

Negociatorët kosovar flasin vetëm në përgjithësi për pakon e Ahtisaarit në mënyrë që ta shmangin vëmendjen nga detajet e tmerrshme të saj. Njëkohësisht, ata e keqinterpretojnë pakon duke e paraqitur statusin e Kosovës si diçka që ndodhet jashtë pakos. Kësaj i ka kontribuar edhe vetë Ahtisaari duke premtuar se rekomandimi i tij për KS të OKB-së lidhur me termin që përkufizon statusin e Kosovës vjen në fund. Përmes kësaj ndarjeje artificiale, Ahtisaari ua ka hapur shtegun anëtarëve të KS të OKB-së që ta pranojnë pakon e tij përveç asaj fjalie shtesë që erdhi në fund! Nëse fjala pavarësi do të ndodhej brenda pakos së Ahtisaarit, atëherë pakoja do të bëhej kontradiktore. Prandaj, fjalia që besohet ta përmbajë fjalën pavarësi, e që u zbulua si premtim (i negociatorëve kosovar) i premtimit (të Ahtisaarit) është lokalizuar jashtë pakos dhe është spostuar për fund, ashtu që në fund të mund të përjashtohet krejtësisht. Njoftimet për dy dokumente të ndara brenda pakos vetëm sa shpërfaqin dokumentin e dytë si ndajshtesë.

Fjalia e pavarësisë tregon pavarësinë vetëm nëse vjen në fillim. Pavarësia në fund është pavarësi në fund të pusit. Nuk është e rastësishme që lëvizja gjithëpopullore dhe antikolonialiste në Indi, e të cilës i printe Gandhi, për parullë kryesore kishte thirrjen “Pavarësi tash!”. Mbase ishin lodhur e mërzitur duke dëgjuar shumë shpesh dhe tepër gjatë se si pavarësia do të vie së shpejti, në fundin e afërm të procesit që assesi s’mbaron.

 Kthehu ne fillim


___________________________

Kolumne nga Burgu i Pejës enkas për gazetën e pavarur shqiptare «Epoka e re»

L I R I A   Q Ë   N I S   S I   L Ë V I Z J E

 “Çdo kërkim e merr drejtimin paraprakisht nga ajo që kërkohet” - Martin Heidegger      

Shkruan:Albin KURTI

 Nga Burgu i Pejës

22.3.2007

Kosova nuk ka histori të pasluftës. Përveç fillimit shpërthyes të ngjarjeve të 17 e 18 marsit të vitit 2004 dhe aktivitetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kur them që Kosova e pasluftës nuk ka histori tjetër përpos këtyre dy fenomeneve, nuk mendoj që asgjë tjetër nuk ka ndodhur, por që çdo gjë tjetër ka qenë ose e drejtuar nga jashtë ose zhvillim sipas inercionit. Duke e përbërë historinë, potencialiteti i këtyre ndodhet mbi aktualitetin e tyre. 17 marsi 2004 nënkupton përsëritjen si kërcënim. Lëvizja VETËVENDOSJE! Konsiston në gravitetin e organizimit të masave. Përderisa 17 marsi 2004 është ngjarje që ndryshon rrjedhat, Lëvizja VETËVENDOSJE! është rrjedhë që prodhon ngjarje. Rrjedhimisht, 17 marsi, ajo revoltë popullore pa devijimet e mëpastajme, në mënyrë retroaktive bëhet i asimilueshëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

VETËVENDOSJE! është lëvizje politike që si një intervenim radikal ka sjellur kualitet dinamik dhe heterodoks në shoqëri. Është intervenim meqë vjen nga bindja se e vetmja liri e vërtetë dhe e rëndësishme është ajo jashtë kornizave të sistemit që dominon dhe kundër tyre. Pa fajin e saj, është edhe radikale, pasi që udhëhiqet nga koncepti i vetëvendosjes, nga koncepti i së drejtës, që duket i skajshëm dhe ca traumatik në një situatë fundamentalisht të padrejtë. VETËVENDOSJE! është organizim i të pakënaqurve që nuk nënshtrohen dhe nuk durojnë. I njerëzve që nuk shpresojnë sepse mendojnë, që nuk presin por veprojnë. I njerëzve të cilët në emër të rrezikimit të së ardhmes nuk pranojnë t’na ndrydhin e shtypin të tashmen; i njerëzve që nuk heqin dorë nga e tashmja për një të ardhme të mirë që asnjëherë s’u bë e tashme; organizim i njerëzve, pra, që jetojnë sot dhe këtu, sepse vullneti është i tanishëm dhe për këtë vend ku jemi. Në këtë kuptim, Lëvizja VETËVENDOSJE! është fushë ku prodhohet subjektiviteti i pareduktueshëm në role të parapërcaktuara politike e shoqërore, është rezistencë ndaj regjimit dhe tentakulave të tij që mishërojnë hegjemoni diabetike.

Rezistenca është dëshmia e subjektit. Bërja e shtetit nis me rezistencën ndaj atyre që s’të lënë të jeshë i lirë dhe të bëhesh shtet. Duke ndenjur urtë s’arrihet gjë. Është një çështje krejtësisht tjetër diskutimi për format e rezistencës. Lëvizja VETËVENDOSJE! është rezistencë. Rezistencë për liri dhe drejtë saj. Kundërshtarët e rezistencës thonë që problemet politike zgjidhen vetëm me vota, duke sugjeruar që punët dhe aksionet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të zëvendësohen me votim për partitë politike apo madje shndërrimin e VETËVENDOSJE!-s në një parti të re. Meqenëse këto s’bëhen dot, kritikat ua kanë lënë vendin sulmeve destruktive, jo aq të ndryshme për nga karakteri sa për nga shkalla. Ekzistenca e Lëvizjes jashtë sistemit dhe diskursit zyrtar është e padurueshme për ta. Ndërsa fakti se aktivistët e Lëvizjes s’kanë çmim është thjeshtë i papërballueshëm. Ndoshta këtë mundësi që VETËVENDOSJE! na sjell në vetëdije ata e kishin ndrydhur në nënvetëdije. Dhe tash vetëdijësimi për çarjen e brendshme është përvojë traumatike.

 

Në Kosovë, votimi është mënyra se si partia çlirohet prej qytetarit: eja voto, shko në shtëpi pastaj, mos dil në rrugë, më shiko mua në televizor, dhe nëse nuk të kam pëlqyer mund të më ndëshkosh pas katër viteve. Ndërkaq, partia është mënyra se si regjimi strukturor i fut ata përfundi vetes: partitë hyjnë brenda koordinatave të huaja që si të tilla s’mund t’i ndryshojnë dhe bëhen përmbajtje e sundimit që e maskojnë.

‘Këshillat’ e tyre që të votojmë dhe të votohemi janë të rëndësishme sepse pranimi i tyre do të na bënte të parëndësishëm. Ky edhe është motivi i këtyre ‘këshillave’. Redaktorë e analistë të ndryshëm do të kandidonin vetë për deputet sikur të qenit deputet në Kosovë të kishte rëndësi. Por, ata me të drejtë konsiderojnë se më shumë ndikim kanë në mediat ku janë sesa në Kuvend ndonëse këtë nuk e thonë. Kundërshtimi i VETËVENDOSJE!-s i institucioneve kosovare nuk është qëndrim antiinstitucional, por përpjekje për të hapur mendimin për të tjera institucione, për institucione të vërteta dhe të fuqishme. Pikërisht për shkak se Lëvizja i do institucionet, ajo i kundërshton këto institucione. Ata që me aq zell i mbrojnë këto institucione, janë kundër institucioneve të mirëfillta dhe autonome si dhe pengesë për to. Duke thënë se këto janë institucione për të cilat kemi luftuar, ata postfestum po e stërkeqin luftën çlirimtare. Ata po e ndryshojnë historinë e një populli për të tashmen e ngushtë që i zë vetëm disa veta. Duan ta paraqesin këtë sistem dhe procesin e tij të paketës si të paalternativë sepse mu rënia dhe ndalimi i këtyre është vetë hapja e mundësive alternative, kurse kriza aktuale simptom i kësaj hapjeje.

Liria dhe shteti na takojnë. Nuk i kemi sepse nuk po na i lejojnë. Do t’i fitojmë por jo si rezultat i mirëfunksionimit të IPVQ-ve, por si rezultat i gjakut të dëshmorëve, vuajtjeve e sakrificave shekullore, dhe mbi të gjitha, shenjave të qarta që do të japim se pa liri e pavarësi sërish do të shpërthejë lufta e gjakderdhja në Ballkan. Mirëfunksionimi apo keqfunksionimi i IPVQ-ve, realisht është i parëndësishëm për atë nëse do të fitojmë shtetin e pavarur e sovran apo jo. Ato mund të përdoren si pretekst e arsyetim, por për këtë aspekt nuk kanë rëndësi. Nuk është e rastësishme që Holbrook-u nuk iu referohet fare atyre por vetëm mundësisë së shpërthimit kur sajon fjali për pavarësinë e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare shumë herë ka treguar se merr vendime vetëm nga frika – atëherë kur binden se është e tmerrshme të mos marrin vendime.

Përderisa UNMIK-u përgatitet të zëvendësohet me një tjetër diktaturë burokratike, politikanët kosovar do të vazhdojnë të jenë nën inkubacion dhe si funksione njëdimensionale të politikës së padronëve të rinj. Ata që e kanë quajtur TMK-në ushtri, ushtri do ta quajnë edhe FSK-në ku të realizuar do të ndjehen vetëm ca komandantë të TMK-së, ndërsa statusin e ardhshëm do ta emërtojnë – pa nevojë për risi e kreativitet si – proces të pavarësisë që veçsa s’mbërriu. Natyrisht, sikurse deri më tash, do të thonë se këtë proces stabil do të mund ta prishë vetëm grupi i vogël i quajtur VETËVENDOSJE!. E njëjta dilemë do të mbijetojë. Ose pavarësia e Kosovës nuk është fare e sigurt ose Lëvizja VETËVENDOSJE! është shumë e fuqishme. Nuk mund të rrezikohet pavarësia e pashmangshme nga organizata të dobëta. Pra, cila nga këto është e vërtetë? Në fakt, që të dyja. Edhe pavarësia s’është fare e sigurt, edhe Lëvizja është shumë e fuqishme. Koncepti i drejtë, projekti koherent, aktiviteti i pandalshëm, ia bën të fuqishme të ardhmen Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Andaj mbetemi të mangët kur vetëm themi se historia e Kosovës së pasluftës konsiston në orët e para të kryengritjes me 17 mars 2004, dhe në atë që përfaqësoi e ndërmori Lëvizja VETËVENDOSJE!. Historia e saj është përpara.

 Kthehu ne fillim


 

 

 

 

PROTESTUESIT NUK KANË PROVOKUAR DHUNËN!

INTERVENIMI I POLICISË

KA QENË I NGUTSHËM!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

INTERVENIMI I POLICISË

KA QENË I NGUTSHËM!

powered by Beepworld