AUTOSTRADA VERMICË - MERDARE DHE FATMIR LIMAJ&CO.

 

 

 

Rruga Garibaldi, H5/9 - 10 000 Prishtinë

Tel: +381 38 736 637

E-mail: instituti.inepra@gmail.com

 

 

E VËRTETA PËR AUTOSTRADËN VERMICË - MERDARE

 

Autostrada antikombëtare, anti’regjionale,

Anti’evropiane dhe e ç’integrimit shqiptar!

 

Autori: Isa Mulaj

( Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike - INEPRA)

“Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojnë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë deri sa shteti mund t’i hedh pluhur syve popullit nga pasojat politike, ekonomike dhe/ose ushtarake të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës, dhe kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i [pu]shtetit [të Kosovës]”: ( Joseph Goebbels, Ministër i propagandës në qeverinë e Gjermanisë Naziste.)

 

 

( Punim hulumtues për diskutimin e politikave - Nr. ESP026/10, H54, 30 prill 2010 )

 

     U ndezën edhe një herë motorët e propagandës emocionale për rëndësinë e një projekti jo transparent dhe autostradën pa krye në Kosovë. Në këtë propagandë është e përfshirë politika e pushtetit të tashëm, korrupsionistët ndërkombëtar, dhe aty-këtu ndonjë opinion i pavarur pa krye si autostrada. Gjithë ky bagazh i propagandës është i njohur për të gjithë ata që kanë qenë dhe janë në rrjedha të jo transparencës dhe konspiracioneve. Numri i arkitektëve kryesor të këtij projekti gjysmë-sekret është aq i “madh” sa që nuk e arrin normën dyshifrore. Atëherë, çka ka të bëjë kjo me kombin shqiptar, Shqipërinë, Kosovën, rajonin dhe integrimin e shpifur euroatlantik?

 

Cilat janë gënjeshtrat për autostradën?

 

      Gënjeshtra e parë është paqartësia rreth relacionit të saj. Fillimisht ishte theksuar se ajo fillon në Vermicë dhe përfundon në Merdare, me gjatësi të përgjithshme prej 117 km. Pastaj u mor vendimi nga Ministri i transportit që ajo të devijohet për Malishevë dhe të përfundoj në fshatin Besi, diku në periferi të Prishtinës, gjatësia doli më e shkurtë, ose gjithsej 103 km. Asnjëra prej tyre nuk është versioni përfundimtar dhe zyrtar.

     Gënjeshtra e dytë është çmimi i përgjithshëm prej 700 milionë eurove. Me çmimin mesatar të kontraktuar prej 7,5 - 8 milionë euro për një km autostradë, me këtë fond nuk mund të asfaltohen as 100 km, prandaj relacioni Vermicë - Besi nuk qëndron, e lërë më ai për në Merdare. Mirëpo, për çmimin e autostradës vendos punëkryesi i njëjtë që ka vendosur edhe në Shqipëri. Për shembull, konsorciumi Bechtel & Enka ishte kontraktuar për hapjen e tunelit të Kalimashit dhe ndërtimin e 60 km autostradë me çmim prej 400 milionë euro, por para dy javëve u informuan se fatura e dorëzuar e këtij punëkryesi për atë punë është mbi një miliardë euro, ose mbi 150 për qind më shtrenjtë. Kjo është arsyeja pse Bechtel&Enka nuk luan Bingo.

     Gënjeshtra e tretë është kur propagandohet se projekti i autostradës është kryevepra, a në fakt kryekorrusioni i Kosovës. Propaganda është e qëllimshme dhe kurrfarë analize nuk mund ta arsyetoj realizimin e saj. Thuhet se punimet në autostradë do të zgjasin 3 vite. Mjafton t’i hipnotizojmë qytetarët me propagandë dhe t’i entuziazmojmë ata sikur autostrada po na sjell mrekullira prej ditës së sotme. Në shtetet tjera ku qytetarët nuk janë mësuar me gënjeshtra të përditshme nga pushteti sikur ne në Kosovë, nuk i kapërdijnë dot këto ilaçe për letargji. Kur i gënjeni njerëzit normal një herë, herën e dytë nuk u besojnë edhe sikur t’ua tregoni të vërtetën. Ne nuk jemi gënjyer një herë, por për çdo ditë dhe tani e kemi përballë gënjeshtrën e madhe.

     “Lidhja e Kosovës me Shqipërinë dhe tërë rajonin, në udhën tonë të pakthyeshme drejt integrimeve euroatlantike”, është gënjeshtra e radhës e shpikur enkas nga Kryetari Kosovës, Fatmir Sejdiu.

     Gënjeshtra e pestë përbëhet nga një grup i gënjeshtrave tjera të Kryetarit të Kosovës për autostradën, si:

     I) Shënon përfundimin e ndarjes së padëshiruar që na është imponuar për shekuj me radhë;

     II) Kjo udhë do t’ua bëjë më të afërt edhe fizikisht qytetarëve të Shqipërisë, Prizrenin, Gjakovën, Ferizajn, Prishtinën, Podujevën, dhe gjithë Kosovën;

     III) Shqipëria do të ketë një mundësi më shumë për lidhje tokësore me Ballkanin perëndimor dhe gjithë Evropën;

     IV) Ata që kanë kundërshtuar lidhjen e dy vendeve përmes kësaj autostrade, për shkak të kostos së lartë, shpejt do të binden se nuk kanë pasur të drejtë, ngase përfitimi që do të sjellë ndërtimi i saj do të jenë shumë më të mëdha.

Trinomi tenderoman: Hashim Thaçi - Fatmir Limaj - Adem Grabovci!

 

     Në gënjeshtrën e gjashtë hyn grupi i gënjeshtrave të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

     Ato janë:

     I) Po e hapim kapitullin e epokës së re të Kosovës, epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës;

     II) Për këtë rrugë nuk do të kursejmë asgjë dhe me çdo çmim do ta realizojmë;

     III) Nga sot, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur shqiptarë, nuk ka bjeshkë që do të na ndajë, por do të ketë vetëm rrugë të cilat do të na bashkojnë;

     IV) Sot çdo qytetar dhe familje kosovare ka më shumë shpresë, optimizëm, besim dhe siguri për të ardhmen e shtetit tonë dhe familjeve tona;

     V) Përshëndetje nga zemra edhe shtetërore për përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese të kësaj autostrade “Bechtel & Enka”;

     VI) Kosova para 11 vjetëve kishte përjetuar një gjenocid të paparë, me një masë të madhe të njerëzve në eksportim, Kosova ishte një fushëbetejë për liri. E fituam atë fushëbetejë, e fituam atë betejë të paparë...

     Grupi i gënjeshtrave të theksuara nga Fatmir Limaj përbëjnë gënjeshtrën e shtatë për autostradën. Ato nuk dallojnë shumë nga gënjeshtrat e politikanëve të lartcekur dhe janë komplementare njëra me tjetrën. Natyrisht, edhe Goebbels’i të cilin e citova në fillim, ka plotësisht të drejtë kur thotë se për ta bërë dikë (sidomos ata të cilëve u është shpërlarë truri) të besoj në një gënjeshtër mjaft të madhe, atë gënjeshtër duhet ta përsërisni vazhdimisht. Në rastin e Kosovës nuk kemi të bëjmë me refrenin e Goebbels’it “e përsërisni” (veta e dytë në numrin njëjës) por “e përsërisin” (veta a tretë e numrit shumës). Ja disa nga gënjeshtrat e Fatmir Limajt:

     I) Nga sot do të fillojë hapja e një korridori ndërkombëtar në vendin tonë, do të na lidh neve me të tjerët dhe të tjerët me ne. Përmes kësaj do rrjedhë ndërlidhja jonë kombëtare;

     II) Sot realizojmë [ndoshta po mendon pas 3 apo 30 viteve!] projektin më madhor, me vlerën më të madhe për Kosovën, dhe dëshmojmë se jemi shtet, i cili e njeh kalendarin e të sotmes dhe të së ardhmes së vet;

     III) Është e pamundur ta nisësh këtë rrugë që na çon drejt të ardhmes, e të mos kujtojmë rrugën që kemi ecur deri më tani, rrugën të cilën baballarët tanë, heronjtë tanë, e paguan me çmimin më të lartë,...Që nga Skënderbeu, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Eqrem Q[Ç]abej, e deri te komandanti legjendar Adem Jashari..;

     IV) Derisa të rënët për këtë vend flijuan jetën e tyre që ne ta shijojmë lirinë, ne sot japim djersën tonë që fëmijëve tanë t’u sigurojmë një të ardhme të sigurt, përmes këtij korridori;

     V) Kjo autostradë, në zemër të Kosovës, bëhet udhëkryq i rëndësishëm për tërë rajonin dhe popujt e këtij rajoni, dhe na shpie drejt Evropës së bashkuar;

     VI) Ky projekt ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët e vendit tonë, përmes krijimit të lidhjeve ndërkombëtare të komunikimit;

     VII) Me këtë rrugë ne po rrënojmë muret e së shkuarës, shkurtojmë distancën mes kulturave dhe popujve, dhe ne po e ndërtojmë rrugën e përbashkët drejt Evropës.

     Gënjeshtra e tetë përbëhet vetëm nga dy gënjeshtra, por të rrasta, të Kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi:

     I) Kjo lidhje është edhe pjesë e idealit të dëshmorëve që ranë brez pas brezi për perspektivën dhe të ardhmen tonë të përbashkët;

     II) Është obligim ynë institucional t’u hapim perspektiva të reja qytetarëve tanë, është obligim yni për edukimin e brezit të ri me frymën e vlerave kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

     gënjeshtrën e nëntë hyjnë të pavërtetat e thëna nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si vijon:

     I) Ne duhet të punojmë për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë;

     II) Autostrada do të afrojë edhe më shumë pranë njëra - tjetrës Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe do të përshpejtojë proceset e integrimeve drejt Evropës;

     III) Inaugurimi i korridorit të kombit sot, vetëm pak më shumë se dy vjet të Kosovës së pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë...

     IV) Nga korridori i kombit nuk do të përfitoj vetëm Kosova dhe Shqipëria, por edhe vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë.

Ambasadori Christopher Dell

     Për gënjeshtrën e dhjetë, kemi lënë grupin e gënjeshtrave të ambasadorit të SHBA’ve në Kosovë, Christopher Dell. Kjo për shkakun se numri dhjetë simbolizon diçka të madhe dhe të rëndësishme në shumë lëmi (si lojtar i futbollit, notë provimi, lojën e kapuçave, etj.). A ka gënjyer diçka ambasadori Dell për autostradën? Sipas fjalëve të tij, duke se po, kur ka thënë:

     I) Kosova është bërë një vend që është i aftë të vendos për nevojat e tij dhe të gjejë burimet për t’i zbatuar këto vendime;

     II) Kushdo që vë në pikëpyetje fillimin e autostradës mundet vetëm të shikoj përreth këtë turmë të njerëzve dhe të vërejë se çfarë vendimi i mirë ka qenë ky vendim i Qeverisë për të nisë këtë rrugë;

     III) Jemi të nderuar që Qeveria ka përzgjedh Bechtel&Enkan të jetë partner i tyre dhe jemi krenarë që i bashkohemi kësaj përpjekje ndërkombëtare;

     IV) Mund të mbështeteni në Bechtel&Enka që do të kryej punimet me kohë dhe me buxhetin e paraparë.

 

E vërteta, faktet dhe realiteti rrëzojnë gënjeshtrat e politikanëve

 

     A përsëriten gjithë këto gënjeshtra të mëdha me qëllimin siç e konstaton Goebbels’i, që populli përfundimisht të detyrohet të besoj se janë të vërteta? Përgjigjen po ua lëmë lexuesve dhe të gjithë atyre që janë ekspert në qëllimet e propagandës. Në vijim po sjellim disa dëshmi rreth autostradës, të cilat po ashtu do t’ua lëmë lexuesve t’i vlerësojnë dhe vërtetojnë a janë propagandë apo të vërteta. Ndonëse gënjeshtra e politikanëve të cekura më lartë janë të shumta dhe të grupuara, ato mund të demantohen një nga një. Mirëpo, duke e ditur se kjo qasje merr shumë kohë dhe hapësirë, do të përdorim qasjen e demantimit grupor, në mes tjerash, për shkakun se edhe qëllimi i gënjeshtrave ishte grupor i ndërtuar sipas logjikës së Goebbels’it, “gënjeshtra e madhe duhet të përsëritet vazhdimisht që populli për një kohë të caktuar më në fund të besoj në të (derisa të del armiku më i madh i gënjeshtrës - e vërteta - e cila edhe ashtu është krejt publike për tërë opinionin e interesuar).

1.      (Pu)shteti i Kosovës është në një gjendje diskreditimi në arenën ndërkombëtare dhe në defanzivë. Institucionet dhe mediat më prestigjioze ndërkombëtare raportojnë në disvafor të Kosovës, por duke e paraqitur gjendjen ashtu si është dhe çka po ndodh në të. Meqenëse gënjeshtrat e politikanëve të Kosovës nuk i duron bota e civilizuar se çka po ndodh në Kosovë, sepse në shoqëritë e atjeshme ekziston tregu i armiqve më të mëdhenj të gënjeshtrave - tregu i të vërtetave - këta iu kanë kthyer tregut vendor të gënjeshtrave. Pra, është përpjekje për zhvendosjen e vëmendjes nga diskreditimi i jashtëm, me propagandën brenda.

2.      Kë e lidhë dhe çka bashkon autostrada (kur të ndërtohet)? Po fillojmë së pari vetëm me Kosovën. Ajo fillon në Vermicë, vjen deri në Suharekë (Therandë), aty kthehet për Malishevë dhe del në rrugën magjistrale Prishtinë - Pejë. Autostradat kudo në botë ndërtohen për lidhjen e qyteteve të mëdha (më vonë do t’u sjelli dëshmi “surprizë” për këtë). Në Kosovë, qyteti më i madh dhe kryeqyteti është Prishtina. Pas tij vjen Prizreni (në të kaluarën për një kohë ishte një far kryeqyteti i trojeve etnike shqiptare). Autostrada Vermicë - Malishevë e bën ndarjen e Prizrenit me Prishtinën ose dy qyteteve me të mëdha. Si? Në Suharekë ajo devijohet për Malishevë për t’u futur në magjistralen Prishtinë - Pejë. Gjatësia e këtij devijimi (deri në Prishtinë) është 28 km, edhe pse MTPT’ja po mundohet ta zvogëloj me deklarata në 20 km. Secili qytetar dhe biznes nga Prizreni, me logjikën ekonomike, nuk ka kurrfarë arsye të futet në autostradë dhe të shpenzoj 28 km më tepër (aq me pak nëse autostrada bëhet me pagesë), prandaj do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë rrugën e vjetër për në Prishtinë. Qytetarët e Prizrenit dhe Therandës do ta shfrytëzojnë autostradën në raste kurioziteti, shëtitje (ta shohin se si duket), dhe ndonjë rast specifik sa herë udhëtojnë për në Prishtinë. Në rastet ekstreme, prizrenasit dhe therandasit kur u bie rruga për në Prishtinë, do ta shfrytëzojnë autostradën Vermicë - Malishevë - Prishtinë nëse i kanë të ardhurat për kokë banori të Norvegjisë, naftën e Arabisë Saudite dhe kohë të tepërt. Asnjërën nuk e kanë.

3.      U ndanë me autostradë dy qytetet kryesore (përndryshe ato ende mbeten të bashkuara më atë rrugë që është), të shohim se çfarë lidhjesh krijon autostrada me qytetet tjera të mëdha të Kosovës që i ka përmendur Fatmir Sejdiu. Autostrada nuk kalon nëpër rrafshin e Dukagjinit ose qytetet e mëdha (të mëdha sipas standardeve tona) si Gjakova dhe Peja. Dikush do të mendonte se vlera e kësaj autostrade për ato qytete është kurrfare, e disa tjerë janë më largpamës dhe dobinë e shohin diku prej mesit të Kosovës deri në Prishtinë. Por ata që janë në gjendje të shohin para syve të vet, janë më largpamës ndër të gjithë. Ç’është e vërteta, autostrada Vermicë - Malishevë - Prishtinë i sjell dëme të pallogaritshme Gjakovës, Deçanit, Pejës, Istogut, Klinës, Gllogovcit (Drenasit) dhe Skenderajt, ose gjysmës së Kosovës. Të gjitha këto qytete për të udhëtuar në Prishtinë, Shkup, Luginë të Preshevës dhe tutje, shfrytëzojnë magjistralen Prishtinë - Pejë, ose aty ku po synohet të zbrazet autostrada. A keni udhëtuar kohëve të fundit në relacionin Prishtinë - Pejë (por edhe Gajkovë, Deçan, Klinë, Istog) dhe a e keni vërejtur se çfarë ngarkese e madhe dhe tollovie në shumë vende është për çdo ditë? Paramendoni tash kësaj t’i shtohet ngarkesa e të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria në autostradën Durrës - Kukës - Morinë se çka bëhet në Arllat, Komoran e tutje deri në Prishtinë. Bëhet “lamë thiu” krejt, edhe sikur të ketë hapësirë për ndërtimin e dhjetëra korsive të autostradës me gjerësi të përgjithshme deri në 100 metra, dhe dihet se kjo është vetëm mundësi imagjinare edhe sikur t’i kemi në dispozicion 10 miliardë euro vetëm për këtë qëllim. Kosova është vend shumë i vogël me hapësirë tokësore, sipërfaqe të pamjaftueshme të tokës bujqësore, dhe i mbipopulluar.

4.      “Lamës së thive” në komunikacionin Prishtinë - Komoran - Arllat, Kryetari i Kosovës mendon se do t’i bashkëngjitet qyteti i Ferizajt. Fatmirësisht jo. Ferizaj do të shpëtoj nga “lama e thive” në “zemër të Kosovës” sa herë udhëton për në Prizren dhe Shqipëri. Podujeva (Besiana) do të jetë pashmangshëm pjesë e saj sa herë merr drejtimin nëpër Prishtinë për në qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, duke përjashtuar Suharekën dhe Prizrenin kur ka mundësi të shfrytëzoj rrugën ekzistuese shumë më të shkurtë se autostrada që do të ndërtohet.

5.      Tjerave qytete si Gjilani dhe Mitrovica që janë (keq)kuptuar se do të përfitojnë si gjithë Kosova, nuk kanë lidhje me këtë autostradë, dhe siç do të shohim më vonë këto përfitojnë nga lidhjet me Serbinë, sepse, ndarjen e padëshiruar të Kosovës janë duke e imponuar me autostradën pa krye politikanët shqiptarë në fjalë.

     Këto që u përshkruan janë vetëm disa nga të vërtetat për çintegrimin e Kosovës me autostradë. Me këtë paraprakisht bien poshtë të gjitha pretendimet ose gënjeshtrat grupore të politikanëve se autostrada lidh fizikisht dhe përmirëson komunikimin për të gjithë Kosovën.

 

Autostrada në “zemër të Kosovës” përpos anti-kombëtare,

është edhe anti-rajonale dhe anti-evropiane!

 

     Po supozojmë se rëndësia e autostradës “në zemër të Kosovës” na sjell vetëm mrekullira, të cilat ne nuk po jemi në gjendje t’i argumentojmë kurrsesi, sepse e vërteta dhe gjendja faktike nga terreni nuk po i lejon dhe po e vërteton të kundërtën. Sidoqoftë, po e lëmë këtë si të shkuar dhe të harruar. Po kalojmë te gënjeshtrat grupore dhe të kryqëzuara të politikanëve për “udhëkryqin e rëndësishëm që lidh tërë rajonin dhe popujt e këtij rajoni”.  Cili është destinacioni i fundit i kësaj lidhje me tërë rajonin?

1.      Autostrada që fillon në Vermicë ka për destinacion lidhjen me Serbinë, pasi ajo përfundon në Merdare (vendkalim kufitar në veriperëndim të Kosovës me Serbinë).  Pra, vendi i parë me të cilin Kosova dhe Shqipëria dëshirojnë të integrohet në rajon me anë të autostradës, është Serbia. Rajoni ose pjesa e Serbisë ku Kosova ia ka mësyrë integrimit, është i banuar me serbë në zona kryesisht rurale dhe malore. I vetmi qytet në atë zonë të madhe më në brendi larg kufirit me Kosovën, është Kryshevci me 75, 256 banorë. Këtu Serbia është treguar e mençur dhe e arsyeshme duke u treguar qartë politikanëve të Kosovës dhe projektit të tyre të korruptuar në formën: “Ku po e thyeni qafën e po doni me këtë autostradë? A nuk e shihni se këtej është rrugë normale e gjerësisë 6 metra dhe e tillë do të mbetet? A jeni të vetëdijshëm se një autostradë afër 30 metra e gjerë nuk mund të përfundoj në një rrugë dykahëshe 6 metra të gjerë? A mundet rruga pesëfish më e ngushtë të absorboj ngarkesën e komunikacionit të autostradës? Pse i mashtroni kaq keq qytetarët tuaj në Kosovë dhe nuk u tregoni se autostrada e juaj është pa krye, dhe kot e keni sjellë deri këtu? Do t’iu nevojiten së paku 100 km të udhëtoni nëpër këtë rrugë të ngushtë dykahëshe deri sa të kyçeni në autostradën më të afërt, atë Beograd - Nish - Shkup. A nuk gjetët vend më të keq për t’u integruar me ne nëpërmjet autostradës pos këtu? Pse ju nuk doni të integroheni me vëllezërit tuaj nëpërmjet autostradës në Luginën e Preshevës? Aty po u ndihmojmë ne dhe Evropa me autostradë. Largësinë e kyçjes në të nga kufiri i juaj e keni vetëm disa kilometra, dhe ato janë në gjendje t’i ndërtojnë banorët e fshatrave shqiptare me fondet e xhepave të tyre të cekët. Nuk ka nevojë për qindra miliona euro, vetëm në rast se dikush dëshiron t’i vjedh ato në bashkëpunim me Bechtel & Enka”. 

Shiko foton në vijim se cilat janë planet e Serbisë:

 

Figura 1: Serbia i ofron Kosovës integrimin me Luginën e Preshevës dhe kyçjen në autostradën që është pjesë e Korridorit 10 pan-evropian, dhe për sytë e politikanëve kosovarë e ka shënuar PRIORITET, por autostrada e “kombit” të politikanëve kosovarë është kundër integrimit ndërshqiptar, rajonal dhe evropian. Burimi: Ministria e Transportit e Republikës së Serbisë.

 

2.      Grupi i politikanëve të Kosovës me grup gënjeshtrat e tyre është aq kozmopolit dhe liberal sa që duan të integrohen me çdo kusht me Serbinë edhe aty ku Serbia, bota dhe logjika nuk janë në gjendje ta pranojnë, ndërsa tallet me cinizëm gënjeshtar për integrimin e shqiptarëve. Devijimi i autostradës prej Lipjanit për në Bujanovc plotëson të tri kriteret e integrimit: i) ndëshqiptar (armiku i të cilit janë të gjithë politikanët e përmendur këtu); ii) regjional; dhe iii) evropian (Korridori 10 që kalon nëpër Serbi dhe Luginë të Preshevës është projekt evropian). Kundër të gjitha këtyre integrimeve është autostrada e “Kosovës” për të cilën po flasim.

3.      Autostrada e “Kosovës” favorizon krijimin e Serbisë së Madhe. Serbia nuk është fajtore për këtë, por një gjë të tillë po ia imponojnë politikanët e Kosovës me autostradën e tyre, deshi e s’deshi Serbia. Korridorin 10 Serbia do ta shfrytëzoj për lidhje me enklavat serbe në komunën e Gjilanit. Ju e dini se çfarë kërdie janë duke bërë politikanët “tanë” me decentralizim në baza etnike në atë komunë. Këtu del në sipërfaqe ndërlidhja e drejtpërdrejtë politike dhe ekonomike kundër rajonit të Gjilanit dhe Luginës së Preshevës nga politika e Kosovës.

4.      Devijimi i autostradës për Mitrovicë ndoshta do ta integronte këtë qytetet brenda Kosovës, ndarja e të cilin është legalizuar nga politika në mes të urës mbi lumin Ibër. Si bëhet bashkimi dhe integrimi rajonal e evropian me autostradë kur ndarja qenka e mundur në mes të qytetit dhe në mes të urës?

5.      Orientimi i autostradës së Kosovës për Maqedoni i plotëson kriteret e katër integrimeve: I) ndërkosovar (lidhjet me Gjilanin dhe Ferizajt), II) ndërshqiptar (shqiptarët në Maqedoninë perëndimore); III) rajonal (lidhjet me një shtet tjetër); dhe IV) evropian (Korridoret 10 dhe 8 që kalojnë nëpër Maqedoni janë korridore pan-evropiane). Kundër të gjitha këtyre lidhjeve dhe integrimeve, sidomos dy të parave, është autostrada e politikanëve të Kosovës.

6.      Me cilin shtet tjetër po integrohet Kosova me këtë autostradë pa krye? Mos me Malin e Zi, sidomos me pjesën lindore dhe juglindore të tij ku jetojnë shqiptarët? Absolutisht jo. Autostrada e “kombit” nuk ka lidhje me këtë integrim ndërshqiptar dhe rajonal, sepse urrejtja më e madhe e autostradës politike dhe klanore të Kosovës, është kundër viseve të banuara më shqiptarë, kudo qofshin ata, në Luginë të Preshevës, Maqedoni perëndimore, juglindje dhe lindje të Malit të Zi. Simpatia më e madhe e autostradës së “kombit” për integrim është me rajonet prej nga kanë hyrë dhe dalë makineria vrastare dhe kriminelët e Millosheviqit, të burgosurit shqiptarë, dhe zhdukja e shumë të tjerëve nga Kosova në Serbi.

7.      Në ndërlidhje me pikën 6 dhe jashtë temës së autostradës por në lidhje me integrimet rajonale, politika e tashme e “jona” lufton integrimin e Kosovës në rajon. Shembulli më i mirë i kësaj është imponimi i vizave të shtrenjta transit kundër shtetasve të Kosovës nga ana e Kroacisë. Sipas të gjitha gjasave, ekzistenca e këtyre vizave është bërë me bekimin e politikës kosovare. Unë vë bast me secilin prej juve se politikanët kosovarë në pushtet nuk guxojnë t’i hynë presionit kundër ambasadës kroate në Prishtinë dhe qeverisë së saj në Zagreb për heqjen e këtyre vizave, edhe sikur t’i goditni personat përgjegjës të Kosovës me raketë Topol-M. Fatmir Sejdiu si njeriu numër një i shtetit të Kosovës shpërndan medalje të arta për kroatët që ia imponojnë shtetasve të Kosovës vizat, ose i plaçkitin. Sikur Kroacia ta ngrit çmimin e vizave transit (vetëm për neve) nga 70 në 700 euro, dyshoj se Fatmir Sejdiu do t’i shpërblente me nga dhjetë medalje të arta ata kroatë që bëjnë rritjen ose dhjetëfishimin e çmimit të vizave për shtetasit që i përfaqëson Fatmir Sejdiu. Vetëm kështu e sheh kryetari i një shteti integrimin e Kosovës në rajon dhe Evropë. Pasojat nga shpërlarja e trurit janë më të rrezikshme se përdorimi i raketës Topol-M. Sikur duan ta bindin botën se shqiptarët janë të atillë që e çmojnë shumë vetëm frikën, prandaj miqësia (e përhershme!) me popujt tjerë të botës, sidomos me serbët dhe kroatët, funksionon më mirë nëse ata tregohen sa më abuzues kundër shqiptarëve. Qenkan të atillë që e çmojnë shumë vetëm frikën, prandaj po u dashka edhe ne të jemi abuzues dhe të këqinj kundër tyre, se kështu na shpërblejnë dhe respektojnëe më shumë.

8.      Integrimet rajonale dhe evropiane nuk identifikohen me rrugë dhe autostrada. Autostradat vetëm lidhin për komunikacion qytetet dhe metropolet e mëdha edhe ndërmjet shteteve armike.

Shikoni me kujdes figurën 2 më poshtë:

Figura 2: Të gjitha korridoret pan-evropiane. Kosovës i është ofruar mundësia të kyçet në dy prej tyre (Korridorin 10 dhe 8) që kalojnë nëpër zona të banuara me shqiptarë, por autostrada e “kombit” është kundër integrimit ndërshqiptarë, rajonal dhe evropian. Burimi: Paneuropeantransport.png.

 

9.      Autostradat e korridoreve pan-evropiane lidhin të gjitha kryeqytetet dhe metropolet e Evropës qendrore, lindore dhe jugore, qofshin ato edhe në shtete të ndryshme me marrëdhënie ndërshtetërore sikur në luftën e ftoftë. Për shembull, Korridori 1 fillon në kryeqytetin e Finlandës Helsiniki dhe kalon nëpër kryeqytetet e shteteve baltike. Njëra lidhje përfundon në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, kurse tjetra në një tjetër qytet të madh të Polonisë, Gdanjsk. Autostrada deri në Gdanjsk vjen nga Kaliningradi, kryeqyteti i enklavës ruse ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë. Në bazë të logjikës së politikanëve kosovarë, kjo autostradë bënë bashkimin e sllavëve të lindjes dhe perëndimit, ose rusëve dhe polakëve. A është e vërtetë kjo dhe çfarë integrimi ka ose do të ketë Kaliningradi me krahinën e Polonisë Pomorskie ku mbaron autostrada e njërit segment të Korridorit pan-evropian 10?Pikërisht në krahinën Pomorskie, në fshatin Regjikovo, SHBA’të planifikonin ndërtimin e një kompleksi të mburojës kundër raketore, me arsyetimin për t’u mbrojtur nga raketat e Iranit dhe Koresë Veriore (të cilat nuk i kishin me rreze veprimi për të arritur deri atje), ndonëse edhe budallenjtë e kuptonin se ai kompleks ishte i drejtuar për detektimin e Forcave Strategjike Raketore (Raketnje Vojska Strategiçeskogo Naznaçenja) të Rusisë, deri në malin Ural. Rusia duke e ditur këtë strategji, akuzoj Poloninë për mikpritjen e këtij kompleksi, dhe i ofroj garancion të qind për qindtë Polonisë se do ta godasë me armë bërthamore. Ky ishte kërcënimi më serioz i përdorimit të armëve bërthamore prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Rusia fillimisht dislokoj raketat me rreze të mesme veprimi të tipit 9K720 Iskander (SS-26 Stone) në Kaliningrad për të goditur krahinën e Pomorskie’s në Poloni ku do të vendosej mburoja kundër raketore amerikane. Në shtator 2008, kryetari i SHBA’ve Barak Obama njoftoj për anulimin e planit. Autostrada e “integrimit” kombëtar, rajonal dhe evropian Kaliningrad-Gdanjsk megjithatë mbeti. Rusia dhe Polonia u “integruan” aq shpirtërisht ndërmjet vete, sa që e para ishte dhe është e gatshme ta godasë të dytën me armë bërthamore. Çfarë integrimi është ky, dhe si ndikoj autostrada e Korridorit 1 pan-evropian? Sipas politikanëve kosovarë, Rusia është integruar në Evropë (sepse Polonia është vend i BE’së) me autostradën Kaliningrad - Gdanjsk!

10. Siç u theksua edhe më herët, autostradat e korridoreve pan-evropiane kalojnë nëpër kryeqytetet dhe metropolet evropiane, pavarësisht a gjenden ato në shtetet me raporte ndërshtetërore të acaruara në të kaluarën, të tashmen, dhe të ardhmen. Kështu Korridori 2 fillon në Berlin dhe vazhdon për në Poznan - Varshavë - Minsk - Moskë dhe përfundon në Nizhni Novgorod. Nuk ka nevojë të shkoj në Vorkuta ose ndonjë fshat në stepet e Siberisë. Ndërkaq, autostrada e “kombit kosovar” kalon nëpër “metropolet” si Malishevë, Bajë, Terpezë, Arllat, Llapushnik, Komoran, Besi, dhe përfundon në “metropolin” e Merdares! Autostradat kalojnë pranë metropoleve dhe qyteteve të mëdha për shkak të bazave të mëdha industriale dhe tregtare, me çka ndihmohet zhvillimi ekonomik. Në Kosovë këto arsye të autostradës nuk ekzistojnë.

 

Projekti i autostradës së “kombit” nuk i ndihmon zhvillimit ekonomik,

por është varri i ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës

 

     Grupi i gënjeshtrave të politikanëve rreth autostradës për konsum të brendshëm, më së shumti përqendrohet në kinse përfitimet ekonomike të Kosovës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj. Kjo është e vërtetë nëse i përjashtojnë qytetarët e Kosovës dhe në to i llogarisin vetëm përfitimet e tyre dhe grupeve të interesit me të cilët janë lidhur, duke i plaçkitur qytetarët. Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë analize rreth përfitimeve dhe dëmeve që i sjell autostrada e “kombit”.

     Kosova nuk ka bazë të madhe industriale dhe ekonomike. Sipas të dhënave të Entit Statistikor të Kosovës, brenda muajit shkurt 2010 Kosova ka eksportuar mallra me vlerë prej vetëm 15 milionë e 681 mijë euro, ndërsa ka importuar me vlerë mbi 122 milionë euro. Eksporti i përgjithshëm paraqet vetëm 12, 5 për qind të vlerës së importit. Dhe çka është më interesante, atë vlerë tepër të vogël të eksportit (eksport me vlerë 15 milionë euro bënë një kompani e madhësisë së mesme në Gjermani brenda një dite, ndërsa Kosova si tërësi brenda një muaj!), eksporti i mbeturinave te metalit përfaqëson afër 65 për qind të vlerës. Madje kjo përqindje është rritur nga 56 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dhe në vlerë monetar është shtuar më shumë se dyfish (nga 4.349.000 në 10.131.000 euro). Kjo sugjeron se perspektiva eksportuese e Kosovës është vetëm në mbeturinat metalike. Në anën e importit, dominojnë mallrat ushqimore që vijnë kryesisht nga Serbia. Kështu rëndësia e autostradës së “kombit” do t’i shërbejë Serbisë për zvogëlimin e shpenzimeve të transportit të mallrave të saj në Kosovë, dhe ai kursim u sjell fitim kompanive prodhuese serbe. Ky është përfitimi ekonomik numër një nga autostrada e “kombit”. Mbajeni mend mirë këtë, dhe pyesni secilin ekonomist për rëndësinë ekonomike të autostradës në këtë kontekst.

     Kur nuk ka prodhim të madh mallrash e shërbimesh për eksport, nga transporti nëpër autostradë përfitojnë më së shumti eksportuesit e mallrave në Kosovë dhe Shqipëri. Asfalti nuk hahet, por hahen produktet ushqimore të Serbisë që kalojnë nëpër autostradën e “kombit” për konsumatorët shqiptarë. Nga austostrada e “kombit” përfitojnë drejtpërdrejtë Sali Berisha, Christopher Delli, Fatmir Limaj, Gani Krasniqi, Mirsollav Mishkoviqi dhe Damir Fazlliqi. Madje hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit rajonal në llogari të Serbisë së Madhe, e bëri ministria e Fatmir Limajt kur PTK bleu licencën e operatorit të katërt të telefonisë mobile në Shqipëri për Mishkoviqin.

     Çmimi fillestar i kontraktuar që duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës për autostradën e “kombit” është 700 milionë euro, që përbën afër 70 për qind të te hyrave buxhetore të Kosovës për një vit, ose afër 20 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP). Nga përvoja e Shqipërisë, kjo shumë do të dyfishohet, ose të arrij 40 për qindëshin e GDP’së.

     Thuhet se në projektin e autostradës do të punësohen 4,000 mijë punëtorë vendas. Numri i vendeve të punës që mund të krijohen në sektorin ekonomik me 700 milionë euro, është së paku 20 fish më i madh. Për më tepër, punësimi në projektin e autostradës është i përkohshëm (më së shumti 3 vite). Kjo shkakton çrregullim të përkohshëm në tregun e punës. Me përfundimin e punimeve në autostradë, punëtorëve do t’u nevojitet në rikualifikim për veprimtari tjera (dhe kjo kushton) sepse Kosova nuk është në kurrfarë pozite të ndërtoj autostrada me shpenzime qindra milionëshe deri në pakufi. Me 700 milionë euro mund të krijohen afër 100.000 vende të përhershme pune në sektorët produktiv të ekonomisë, dhe nga ndikimi i tyre ekonomik dalin edhe 100.000 tjera.

     Autostrada merr resurset nga sektorët produktiv dhe i hedh ato në një sektor të ngrirë. Asfalti nuk prodhon gjë dhe nuk hahet. Kështu luftohet mirëqenia ekonomike e qytetarëve edhe ashtu të varfër të Kosovës. Me këtë bie poshtë çdo gënjeshtër e politikanëve se autostrada ndikon në përmirësimin e mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Përkundrazi, e shkatërron ashiqare. Ministria e Transportit shpenzon më së shumti mjete nga buxheti i Kosovës. Kjo është një absurd kur dihet se struktura socio-ekonomike e Kosovës ka nevoja tepër të ngutshme në sektorët tjerë si zhvillimi i bujqësisë dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

     Realizimi i këtij projekti anti-kombëtar, anti-regjional, dhe anti-evropian është hipotetik, pra nuk është real meqenëse përmban shumë të panjohura dhe pasiguri. Për autostradën e kombit këtë vit janë ndarë 50 milionë euro nga buxheti i Kosovës, që përfaqëson vetëm 7.1 për qind të fondit fillestar që kërkohet për ndërtimin e autostradës. Edhe në dy vitet vijuese, me përndarjen e buxhetit në mënyrë tejet diskriminuese në favor të MTPT’së, mund të ndahen nga 50 milionë euro për autostradë. Gjithsej 150 milionë euro për tri vite. Nga do të sigurohen edhe 550 milionë tjera? Nga kreditë e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)? Jo. Kosova mund të hyjë borxh vjetor më së shumti deri në 200 milionë euro në këto institucione, ose 20 për qind të te hyrave buxhetore të Kosovës. Mirëpo, problemi akut është se FMN’ja dhe Komisioni Evropian tash së voni ia kanë mbledhur betë Qeverisë së Kosovës se nuk do t’i marrë 50 milionë euro donacione pa nënshkrimin e marrëveshjes me FMN’në, dhe rrezikon t’i humb edhe 100 milionë euro tjera si mbështetje për buxhetin e Kosovës që ishin premtuar në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel në korrik të vitit 2008. Me çka ka të bëjë ajo marrëveshje ose kushtëzim i FMN’së ndaj Qeverisë? Me reduktimin e administratës publike, që vjen nga punësimet e pa baza në bazë të nepotizmit, klaneve, akrabave, korrupsionit, ryshfeteve, shantazheve, përkatësive politike, përvojën në krimin e organizuar, reketit, tradhtisë ndaj kombit dhe shtetit, bashkëpunimit me mafinë ndërkombëtare, etj.

     Mos do të vijnë mjetet si kredi nga Banka Botërore (BB)? Ky institucion financiar ndërkombëtar (më i rëndësishmi) ka tjera prioritete për Kosovën dhe është deklaruar se do të përqendrohet me tepër në mbështetjen e zbutjes së varfërisë duke gjeneruar punësimin. Për këtë qëllim kjo ka paraparë një fond 90 milionë euro. BB e di se mirëqenia ekonomike e njerëzve nuk matet me asfalt dhe beton për kokë banori. Është shumë interesante heshtja e qëllimshme që ia bëri BB ceremonisë së fillimit të punëve për autostradën. Financuesi kryesor i autostradave në korridoret pan-evropiane, pra BB, nuk e përkrah projektin e autostradës së Kosovës nga shkaku se kjo nuk lidhet me asnjë nga korridoret pan-evropiane, me fjalë tjera, për shkak se autostrada e “kombit” është anti-kombëtare, anti-regjionale, dhe anti-evropiane.

     Personeli i shumë organizatave ndërkombëtare i lëshuar në mes të mafisë vendore dhe duke u përpjekur t’i përshtatet asaj ose të bëhet pjesë e krimit të organizuar, për çka shtabet e tyre që i kanë dërguar për mision nuk kanë ndërmarrë absolutisht kurrë as masën më të vogël kundër tyre, e kanë diskredituar në tërësi misionin e atyre organizatave në Kosovë. Për shembull, kryesuesi i zyrës së BB në Prishtinë, Ranxhit Najak (Ranjit Nayak), u ka thënë mafisë vendore t’i shmangen tuneleve në projektin e autostradës. Mafia e kuptoj këtë porosi si sinjal të përkrahjes së autostradës nga BB, e ndoshta edhe si inkurajim për përfitime të përbashkëta në devijimin e autostradës. Por vetë fakti se BB nuk u paraqit fare në ceremoninë e hapjes së punimeve të autostradës dhe po hesht qëllimshëm, do të thotë se Ranxhit Najaku ia ka lëshuar këmbët e arushës në dorë mafisë vendore, me apo pa qëllim. Ky skandal duhet të raportohet në shtabin e hetimeve të BB në Uashington DC për mashtrim të qëllimshëm, dhe Najaku duhet të jep përgjegjësi për propozimin e papërgjegjshëm në emër të një institucioni serioz si BB. Njësitet e hetimeve të BB kanë ndërprerë mbështetjen e BB për autostrada në Filipine edhe kur çdo gjë po shkonte mbarë, edhe për arsye më të thjeshta siç është diskriminimi në përzgjedhjen e kompanisë punëkryese. Çdo gjë tjetër ishte në rregull dhe shkonte sipas planit, me mjete të kontraktuara nga BB, por hetimi rezultoj në ndërprerjen e mbështetjes dhe anulimin e financimit të autostradës.

     Tjetër vërejtje ndaj Ranxhit Najakut është se ka toleruar korrupsionin e personelit të tij vendor në projektet për anti-korrupsion, kur ata në bashkëpunim me disa vendorë skandaloz të UNDP’së dhe të KFOS’it kanë bërë përzgjedhje të Organizatave Jo-qeveritare (OJQ) për ta shmangur vëmendjen nga korrupsioni real, dhe ta zëvendësojnë atë me llap-a-llapje të pakuptimta për dialog rreth korrupsionit në formë abstrakte si “korrupsioni është i dëmshëm, pengon investimet e huaja, dëmton ekonominë”. I doni emrat e disa “vlerësuesve neutral” nga zyra e BB në Prishtinë? Mirlinda Gorçaj – Llalloshi, Nejme Kotere, Lundrim Aliu....të tjerët kërkoni në njësiti për hetimin e integritetit të BB në Uashington DC. Nga Uashingtoni kanë arritur njoftime se janë shumë të shqetësuar për dallaveret e vendorëve, dhe kanë kërkuar nga Najaku të hetoj dyshimet. Ky u ka premtuar se do ta kryej këtë punë, por nuk e ka bërë. Do të thotë, i ka mashtruar edhe ata në Uashington DC, sipas të gjitha gjasave nga shkaku se ka qenë i zënë duke menduar dhe punuar si t’i jep këshilla mafisë vendore në Kosovë rreth devijimit të autostradës.

     Kur janë në pyetje tunelet, duhet theksuar se edhe para luftës së dytë botërore ato janë hapur në terrene shumë më të ndërlikuara se nëpër kodra dhe bjeshkë. Shembull për këtë janë hekurudhat nëntokësore në qytete të mëdha që kalojnë edhe nën lumenj të mëdhenj si Danubi, Temza, etj. Tunelet hapen dhe ndërtohen edhe në terrene më të vështira se nën qytete, lumenj dhe bjeshkë. “Kanali la Mansh - the Enlish Channel” i cili lidhë Britaninë e Madhe me Francën, është tunel i ndërtuar nën deti. Por Bechtel&Enka, përkundër propagandës dhe miopisë së disa analistëve se ka realizuar dhjetëra mijëra projekte në qindra vende, është diskredituar fort me autostradën e Shqipërisë. Ky konsorcium në Shqipëri doli si një ndërmarrje mafiozësh kur i imponon çmimet si të dojë pas marrjes së punëve, ndërsa punën e bënë për faqe të zezë. Projekti i autostradës Durrës - Morinë kishte filluar në nëntor 2006 dhe është dashur të përfundoj pas tri viteve. Kaloj gjysma e vitit të katërt dhe ai projekt nuk është realizuar, pra humbjet vazhdojnë. Profesionalizmi i këtij konsorciumi më së miri vërtetohet kur gjatë punëve në vijim pasojnë shembjet masive të tuneleve, sikur ai i Kalimashit i cili ende mbetet i mbyllur. Mos të hyjmë edhe në defekte tjera, sikur ai i devijimit të autostradës për 1, 5 km me çmim 5 milionë euro.

     Konsorciumi i ka bërë këto me qëllim për t’i nxjerrë veti punë shtesë sepse ajo i paguhet me çmimin sa t’ia thotë rradakja punëkryesit. Ka gjasa që ky konsorcium, përpos punës me defekte të qëllimshme, të angazhoj organizata terroriste për vendosjen e eksplozivëve nëpër urat dhe viaduktet e autostradës së “kombit” në Kosovë me qëllim që të nxjerr punë shtesë me çmime që do t’i caktoj vetë.

     Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, me një program ka trajnuar kuadrot vendore që do të angazhohen në ndërtimin e autostradës. USAID’i! E USAID’i pra! Ky është kallauzi i krejt këtyre enigmave, konspiracioneve, korrupsionit, propagandës, linçimeve, ndërskamcave, shantazheve, montimin e intrigave, gjuajtjes së gurit dhe fshehjes së dorës. Kryeshefi i saj në Kosovë është Christopher Dell, ambasadori i SHBA’ve në Prishtinë. Si shpjegohet fakti që administrata e SHBA’ve ende e ka në listë të zezë Fatmir Limajn, ndërsa Delli bënë biznes me të në Kosovë nëpërmjet USAID’it dhe Bechtel’it? USAID’i është organizatë qeveritare dhe listat e zeza të administratës amerikane janë pikërisht të drejtuara kundër këtyre bashkëpunimeve dhe financimeve. Aq më e logjikshme bëhet pyetja kur dihet se autostrada nuk ka të bëjë asgjë me përfitimet e “kombit” dhe shtetit të Kosovës por me Dellin, Fatmir Limajn dhe Bechtelin. Si shpjegohet tjetri fakt se Ministria e Punëve të Jashtme të SHBA’ve (Stejt Departamenti) në qëndrimet dhe raportet e saj për Kosovën është kritik për nivelin e korrupsionit në Kosovë, ndërsa njëri prej gjeneratorit kryesor të atij korrupsioni janë programet dhe financimet e USAID’it, duke mos harruar këtu edhe korrupsionin brenda vetë USAID’it në Kosovë, i cili përkundër së është publik, kurrë nuk është hetuar deri më sot. Stejt Departmenti dhe ambasadori Dell duhet ta qartësojnë arsyen e pozicionit të tyre diametralisht të kundërt në raport me Kosovën, lidhjet Mishkoviq - Limaj - PTK - Dell - Shqipëri - Serbi e Madhe, etj, etj.

     A është e vërtetë se USAID’i ka qenë i angazhuar në programe dhe reforma zhvillimore në Kosovë? Po në reformën e sistemin e drejtësisë të cilën me programe e ka bërë si çerdhe e legalizimit të krimit të organizuar për mbrojtjen dhe përkrahjen e atyre me të cilët ilegalisht bashkëpunon dhe bënë biznes Delli? Rezultati i disa prej këtyre programeve, janë intrigat e disa gjykatave (sidomos Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë e cila është rihapur nga USAID’i dhe mban pllakatë metalike me ngjyrë ari me emrin e USAID’it për të krijuar bindjen se kush qëndron prapa saj) edhe kundër qytetarëve të zakonshëm të caktuar, ndërkohë që mbi 200.000 lëndë ku përfshihen edhe krimet e rënda botërisht të njohura, mbesin të paprekura në gjykatat e Kosovës. Ato nuk do të preken kurrë dhe do t’iu shtohen edhe 200.000 tjera, sepse dihet kush goditet nga zgjidhja e tyre e drejtë, dhe kjo nuk i shkon për shtati Dell’it dhe USAID’it. Të vetmet dosje që trajtohen shpejt, janë dosjet e pushtetit dhe gjykatave kundër të drejtave të qytetarëve të zakonshëm, duke përfshirë opinionet dhe analizat shkencore.

     Një tjetër program interesant i USAID’it është ai financimit të ISC’së (Institute of Sustainable Corruption) nga Vermonti i SHBA’ve që vepron në Kosovë për mbështetjen e shoqërisë civile, në mes tjerash për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet reale të korrupsionit, dhe angazhimin e disa OJQ’ve për promovimin, advokimin, sensibilizimin e opinionit, dhe hapjen e debatit kundër korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes në nivel qendror dhe lokal. Neve na është treguar në një takim zyrtar publik nga një zyrtar vendor i ISC’së (më duket drejtori i tij ekzekutiv) se: “Nuk është detyrë e juaja të ndërmerrni diçka si të zgjidhen problemet; kjo është kompetencë e dikujt tjetër (ndoshta e ambasadorit Dell, Zotit, ose kush e di se kujt)”. Detyrë e juaja është të llap-a-llapni diçka në formë të propagandës, tha në formë të tërthortë drejtori ekzekutiv i ISC’së, por jo t’iu bini problemeve në kokë (se mos po del USAID’i prapa tyre!).

 

Financimi i autostradës së “kombit” nëpërmjet shitjes

së çdo pasurie kombëtare

 

     Kur Hashim Thaçi thotë se nuk do të kursej asgjë për autostradën, ai mendon t’i shes ndërmarrjet e mëdha publike si PTK’në, KEK’un, Aeroportin dhe paratë e tyre t’i hedh në asfaltin e autostradës pa krye që nuk gjeneron gjë. Por nuk është qëllimi i tij që të gjitha paratë nga shitja e këtyre ndërmarrjeve publike të përfundojnë në autostradë. Ai do që me paratë e shitjes së çdo gjëje të Kosovës nëntokë, mbi tokë dhe në ajër të blej ose importoj nga Serbia: uji “Vlasinska Rosa”, Eurocrem “Cipiripi”, plazma keksa, moka, “shtapiça”, “zvakaça” dhe sheqerka lëpesë “Chupa-Chups”.  Me këtë variant, financimi i ndërtimit të autostradës është i pamundur.

 

Të merresh me korrupsion, krim të organizuar, tradhti kombëtare,

dhe hajni të paskrupullt në emër të luftës për liri dhe heronjve kombëtar

 

     Kur e filluam këtë analizë duke e cituar Goebbels’in, dy pasojat e para të gënjeshtrës mjaft të madhe ishin politike dhe ekonomike. Geobbels’i përmend edhe pasojnë e tretë të gënjeshtrës, atë ushtarake, dhe këtë e vë shumë afër në ndërlidhje me pasojat ekonomike kur thotë “ekonomike, dhe/ose ushtarake”, që na bënë të kuptojmë se ai gati sa nuk i ka fuzionuar këto dy pasoja në lëmi të ndryshme në një, ose t’i identifikoj si sinonim.

     Çka ka të bëjë lufta e Skënderbeut, Adbyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Eqrem Çabejt (ky më duket se ishte gjuhëtar - linguist) me autostradën e “kombit”,  luftën e Fatmir Limajt dhe kolegëve të tij Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi për plaçkitjen e pasurisë së kombit dhe kalimin e saj të huajve? Lufta e Skënderbeut është bërë në drejtim krejtësisht të kundërt. Fatmir Limajt i duket sikur Skënderbeu ka luftuar si ky për sjelljen e kompanisë turke “Enka” të veproj si zot shtëpie në Kosovë, me misionin për ta realizuar një projekt anti-shqiptar, anti-rajonal dhe anti-evropian siç është autostrada e “kombit”.

     Ministrit të transportit në ceremoninë e hapjes së punimeve i shpëtoj nga goja, ose gënjej me qëllim, fjalia “deri te komandanti legjendar Adem Jashari”. Si është e mundur ky të shpif kualifikime “komandant legjendar” kur në Tribunalin e Hagës e ka përgënjeshtruar zyrtarisht ekzistencën e UÇK’së si ushtri me strukturë organizative komanduese, dhe e ka paraqitur atë si banda të armatosura pa komandë qendrore? A ka gënjyer atëherë, apo gënjen tani për qëllimet e tij ekonomike, apo në të dyja rastet? Sido që të jetë, këto janë pasojat ushtarake të gënjeshtrës të cilat Goebbels’i ishin në dyshim nëse duhet të mbahen të ndara nga pasojat ekonomike, prandaj edhe i ka cilësuar këto si “ekonomike, dhe/ose ushtarake”.

     Nuk e di nëse dikujt ende vazhdon t’ia duroj veshi ndërlidhjen e luftës çlirimtare me tradhti dhe hajni kombëtare në këtë kohë, por është lajm i mirë që askush nga familja Jashari nuk iu bashkua trinomit Limaj -Thaçi - Krasniqi në atë ditë ceremonie për të abuzuar me emra si Skendërbeu dhe heronjve tjerë deri në ditët e sotme, për qëllime korrupsioni në nivel kombëtar. Mund të them se miti i komandantëve legjendar të Kosovës është duke u rrënuar në heshtje, sepse ai nuk përkon me vepra për kualifikime të tilla. Një plak i rajonit të Deçanit u kishte thënë gjeneralëve të shumtë të UÇK’së: “Ne kemi një kapiten nga fshati ynë i cili që 10 vite s’ka mundur të bëhet major, ndërsa ju i bëtë gjeneralë për dy ditë në mal”.

     Një gënjeshtër e padurueshme, nga mund të kërkohet llogari po të jetë serioze (do të thotë po të jetë e vërtetë), është ajo e Hashim Thaçit kur përmend gjenocidin e paparë kundër shqiptarëve në raport me autostradën e “kombit”. Asnjë institucion ndërkombëtar nuk e pranon se në Kosovë ka pasur “gjenocid të paparë”. Në Bosnjë, vetëm Srebrenica është pranuar si gjenocid “normal”. Për rastin e Kosovës nuk pranohet se ka pasur gjenocid, por spastrim etnik dhe krime lufte. Ka edhe përpjekje ndërkombëtare që luftën në Kosovë 1998-99 ta paraqesin si konflikt i armatosur. Gjenocide me të mëdha se në Kosovë janë parë në shumë vende të botës gjatë historisë, në trojet etnike shqiptare (gjenocidi kundër çamëve, gjenocidi i Toplicës), madje edhe brenda vetë Kosovës gjatë luftës së parë Ballkanike. Prandaj, konstatimi i Hashim Thaçit për “gjenocid të paparë” me rastin e inaugurimit të autostradës së “kombit”, nuk qëndrojnë dhe janë vetëm në funksion të rrenës së madhe për projektin e autostradës.

     Nuk lanë gjë të madhe kombëtare pa e njollosur me autostradën anti-kombëtare trinomi Limaj-Thaçi-Krasniqi. Këtij të fundit nuk i vjen turp përmend obligimin për “edukimin e brezit të ri me frymën e vlerave kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, vetëm disa javë pas djegies për herë të dytë të Lidhjes së Prizrenit, ose ndalimin e përdorimit të emblemës së tij nga Gjykata Supreme e Kosovës. Dhe për çudinë e askujt, i pari që do të vrapoj në mbrojtje të vendimit të mbrapshtë të Gjykatës Supreme, është, kush tjetër pos ambasadorit Dell. Ambasadori Dell thuhet se është angazhuar shumë për de-politizimin e gjyqësorit në Kosovë, por nuk e di në çfarë forme se. Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMLDNj’së, u përpoq me shkrimin e tij “Të rritesh jetim madje as pa njerkë! - Përkrahja e Radovanit për të drejtat e Hasanit” ta thyej akullin e heshtjes së mediave, censurës së tyre, dhe frikës së analistëve të pavarur, për ta thënë të vërtetën si duhet - se ky presion i ambasadorit Dell për politizimin e gjyqësorit. Mirëpo, nuk e di nëse Behxhet Shala ka qenë në dijeni se para tij, “frikacakët” i kanë treguar opinionit dhe kanë akuzuar drejtpërdrejtë ambasadorin Dell se “Sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është i politizuar, por i USAIDizuar, e kjo do të thotë më shumë se i kriminalizuar”. I tillë është edhe sot, prandaj adresa e de-politizimit dhe de-kriminalizimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë dihet.

 

Përfundim dhe parashikim i shkurtë

 

     Bechtel&Enka e ka marrë punën në Kosovë dhe do të punoj sa dhe si të dojë vet. Ambasada e SHBA’ve dhe USAID’i në Kosovë do ta shkarkojnë ministrin Limaj dhe do të përpiqet ta largojnë nga Kosova, por nuk do ta marrin në SHBA. Ndoshta nëpërmjet Qeverisë së Kosovës do ta dërgojnë për ambasador në Kanada! Do të sjellin në krye të MTPT’së një ministër të ri, i cili do ta devijoj autostradën e “kombit” si të dojë e tërë Kosova. Konsorciumit Bechtel&Enka nuk do t’i interesoj fare se kah devijohet autostrada. Qëllimi i tij ka qenë vetëm të futet. Kushtet pastaj ndryshojnë kohë pas kohe sikur në rastin e Shqipërisë. Fatmir Limaj dhe ambasadori Dell e kanë kryer misionin me rastin e futjes së Bechtel&Enka. Ka mjaft kohë deri sa të vijë ndërtimi i autostradës deri në Therandë, dhe kjo mund të marrë së paku një vit. Deri atëherë, ose kur të vjen koha për devijim nëpër Malishevë, ministri Limaj mund të shkoj nga MTPT’ja (veç ka filluar ta kap përpara EULEX’i me bastisje në Ministri, në shtëpi, kudo, me akuza për shpërdorim të fondeve). Ambasadori Dell dhe USAID’i pastaj do t’i drejtohen BB’së për financimin e ndërtimit të autostradës së rikonfiguruar. BB nuk do të mbetet e heshtur dhe ka gjasa të ndërroj mendjen, pra ta financoj autostradën, por nuk dihet se çfarë integrimesh kombëtare, rajonale dhe evropiane do të siguroj financimi i autostradës së rikonfiguruar. Me siguri pak më të mirë se varianti i atyre që nuk lanë gjë madhore kombëtare pa keqpërdorur në emër të saj.

 

 

 Letër e hapur për Autostradën e Kombit!

 

AUTOSTRADA DURRËS - MERDARE ËSHTË PA KRYE,

T’I NDËRROHET DREJTIMI PËR BUJANOVC! 

 

Për: Ambasadorin e SHBA’ve Dell; Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi; Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu; Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha; Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi; Zv. kryeministrin e Shqipërisë Ilir Meta; Kryeparlamentaren Jozefina Topalli; Kryeparlamentarin  Jakup Krasniqi; Ministrin Fatmir Limaj; Deputetët e Kuvendit të Kosovës; Të gjithë intelektualëve shqiptarë kudo që janë; Të gjitha mediave elektronike dhe të shkruara dhe Popullit Shqiptar.

 

TANI ËSHTË KOHA PËR TË VEPRUAR NESËR BËHET VONË, SHUMË VONË!

 

AUTOSTRADA QË FUNKSIONON ËSHTË AUTOSTRADA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBTARE DURRËS - PRISHTINË - BUJANOVC

Vetëm 5 km deri në lidhjen tjetër me Autostradën në Serbi, këtë gjatësi rruge mund ta ndërtojë  vetë Ternovci i Madh.

(Shikoni hartën)

 

Ndërsa:

AUTOSTRADA QË NUK FUNKSIONON ËSHTË AUTOSTRADA KOMBËTARE

DURRËS - PRISHTINË - MERDARE, E CILA ËSHTË PA KRYE: 

(Shikoni hartën)

 

     Ka 100 km për tu lidhur me Autostradën në Sërbi. Dhe Serbia edhe për 100 vjet të ardhme nuk do ta ndërtojë atë për arsye tashmë të njohura.

     Atëhere shtrohen pyetjet logjike:

     Ku është levërdia ekonomike, politike, kombëtare, ndërkombëtare e një Autostrade pa KRYE (QORRE), që nuk funksionon dot? Ku është interesi i Shqipërisë, Kosovës dhe integrimi i tërë rajonit të Evropës Juglindore në këtë Autostradë. Ku po mbetet integrimi rajonal i vendit tonë me rajonin?!...

      Autostrada Durrës - Prishtinë - Bujanovc,

     ka randësi:

     ekonomike,

     kombëtare,

     politike,

     ndërkombtare.

     Rëndësia ekonomike:

    Mundëson qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave mes Shqipërisë - detit adriatik, jo vetëm me Kosovën por me tërë rajonin e Evropës juglindore. Kjo rrugë shkurton distancat dhe lehtëson kalimin e saj dhe për këtë ka rëndësi të zhvillimit ekonomik të tërë rajonit.

     Rëndësia kombëtare:

     Na lidhë me shqiptarët e Kosovës Lindore, në kohën kur me Libelarizimin e vizave po tentohet të zbrazen trojet shqiptare, siç ka ndodhur ditëve të fundit në këtë hapsirë shqiptare dhe në Kumanovë me rrethinë. Autostrada Durrës - Morinë që lidhet me Autostradën për në Bujanovc krijon mundësi më të mira që rajoni të bashkpunojë ekonomikisht dhe të zhvillohet ma shpejt.

     Rëndësia politike:

     Që shqiptarët e Kosovës Lindore të mos i braktisin trojet e veta stërgjyshore.

     Rëndësia ndërkombëtare:

    Autostrada është më funksionale, sepse krijon lidhje ndërkombtare me Serbinë, Hungarinë, Kroacinë, Slloveninë dhe del në Evropë dhe në anën tjetër lidhet Maqedonia, Bullgaria,Turqia, Greqia...

     Prandaj Autostradën Durrës - Morinë, këtë vepër kolosale të shqiptarëve nuk duhet ta shndërrojmë në autostradë pa KRYE. Projekti i Autostradës nga Morina deri në Lipjan ekziston dhe ky projekt duhet të vijojë në drejtim të Bujanocit e jo në drejtim të Merdares.

Vërejtje: Shikoni me kujdes hartën rrugore të Serbisë, asnjë lidhje me Kosovën!

Në këtë hartë duket qartë se Autostrada në Merdare është e MBYLLUR!!!!

     Për të kuptuar sa më mirë shqetësimin tonë, ju ftojmë të shikoni Projektin rrugorë të Serbisë për shekullin XXI.

 

LEXONI E SHIKONI:  21 PROJEKAT ZA 21 VEK!

     

     Të nderuar,

     Është koha e fundit që ju të vendosni drejtë dhe të merrni përgjegjësi historike për vazhdimin e ndërtimit të Autostradës ...Morinë - Lipjanë - Bujanovc...

Me respekt  - Ismet Abazi - 15.03.2010

Ekskluzivisht për www.pashtriku.org

 

AUTOSTRADA VERMICË - MERDARE DHE FATMIR LIMAJ&CO.

 

 

 

Rruga Garibaldi, H5/9 - 10 000 Prishtinë

Tel: +381 38 736 637

E-mail: instituti.inepra@gmail.com

 

 Punim hulumtues i INEPRA's, për diskutimin e politikave - Nr. ESP025/10, H54, 08 shkurt 2010

 AUTOSTRADA E KOMBIT: BASHKIM KOMBËTAR APO BASHKIM

I SKANDALEVE I KORRUPSIONEVE DHE MJERIMIT?!

 

„Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq”. Thomas Jefferson.

 

 

     Autostrada Durrës - Kukës - Morinë me gjatësi prej 180 kilometra, ndryshe ka filluar të quhet “Autostrada e Kombit”, pasi ajo lidh Shqipërinë dhe Kosovën me një rrugë tokësore, tani të ndërtuar dhe asfaltuar më mirë në një pjesë të trasesë ekzistuese dhe disa terrene të reja duke përfshirë edhe hapjen e tuneleve. Deri te emërtimi “Autostrada e Kombit” ka ardhur për shkak të krahasimit me kohën e gjatë dhe udhëtimit të vështirë nga Morina nëpër terrenin e papërshtatshëm rrugor të Shqipërisë verilindore dhe anasjelltas në trasenë e rrugës së vjetër. I kontraktuari i ndërtimit të kësaj autostrade ishte dhe ende është, konzorciumi amrikano-turk, Bechtel&Enka. Punimet kishin filluar në nëntor të vitit 2006. Hapja ose lëshimi në përdorim i saj u bë në maj 2009, me përurimin zyrtar nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi. Gjesti i përurimit në formë të “bashkimit kombëtar” (duke i harruar trojet tjera të banuar me shqiptarë) u shpall në mes të tunelit të Kalimashit. Kjo simbolikë e “bashkimit kombëtar” në zgafellë nuk duket e hijshme.

 

 

     Nuk vonoj shumë, diku pas pesë muajve ose më 5 nëntor 2009, pasuan shembjet e mëdha me gjatësi prej 80 metrash pikërisht në atë tunel ku ishin takuar e përqafuar përmallshëm Berisha dhe Thaçi. Të gjithë ata që e shfrytëzuan rastin e hapjes së tunelit si “bashkim kombëtar” për propagandë politike në llogari të Sali Berishës, tani ishte dashur ta shpallin “ndarjen kombëtare” madje edhe me një pjesë të territorit të Shqipërisë. Dukej se kishte shumë punë për rihapjen e atij tuneli. Njëherë u tha se nuk do të rihapet deri në mars 2010, por njoftimet e fundit thonë se kjo nuk do të ndodh deri në verë të këtij viti. Me këtë rast, konzorciumi Bechtel&Enka është dashur dhe duhet të penalizohet nga Qeveria e Shqipërisë. Pse? Arsyeja gjendet këtu:

 

 

     Vlera e atij tuneli derisa mbetet i mbyllur, është zero, për shpenzime të mëdha shtesë të panevojshme shkaku i punës jo profesionale. Qeveria e Shqipërisë në vend se ta penalizoj kryesin e punimeve Bechtel&Enka, menjëherë shfrytëzon rastin për të bërë dëme edhe vet me mashtrime financiare në projektin e Autostradës së “kombit” në prag të zgjedhjeve parlamentare në qershor 2009. Një prej rasteve të zbuluara (ka edhe shumë të pazbuluara) është ai i devijimit të rrugës për 1,5km (në vend të ndërtimit të urës që merrte kohë më shumë) me shpenzime financiare prej 5 milionë euro, me të vetmin qëllim: që ta përshpejtoj përurimin e autostradës në prag të zgjedhjeve për qëllime politike. Dëshmia gjendet në këtë adresë:

 

 

     Skandali më i madh me rrugën e “kombit” mund të cilësohet kostoja e panjohur financiare ose çmimi që duhet ta paguaj Shqipëria. Në fakt, kostoja e çdo projekti zakonisht dihet para se të filloj zbatimi i projektit, por në rastin e Bechtel&Enka, kjo do të dihet në fund ose pas realizimit të projektit, dhe atë do ta përcaktoj vetë kryerësi i punimeve. Dukuria e tillë kur shërbyesi ose i kontraktuari (në anglisht “agent”) Bechtel&Enka vepron si zotëri ose urdhërdhënës (në anglisht “principle”) ndaj zotëriut Qeveria e Shqipërisë, është e papranueshme dhe e pakapshme për teorinë e zotëriut dhe shërbyesit (principal-agent theory, ose master and servant). Përpjekjet e ndonjë ekonomisti për ta studiuar hollësisht rastin Bechtel&Enka dhe Qeveria e Shqipërisë nga perspektiva e teorisë së zotëriut dhe shërbyesit, kanë gjasa të sjellin përfundime që do ta rrotullonin mbrapshtë teorinë standarde dhe të pranuar ndërkombëtarisht. Kjo mund të ndodh vetëm në praktikën e shërbyesit Bechtel&Enka me “Autostradën e Kombit” tonë.

 

* * *

     Gjersa praktika e tillë me pasoja vazhdon në Shqipëri, përqëndrimi kryesor i këtij punimi për diskutim të Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA), përsëri është në shërbyesin e njëjtë të quajtur Bechtel&Enka, në të njëjtën autostradë (në bazë të asaj siç e quajnë mediet, politikanët dhe qytetarët “vazhdimi i autostradës së kombit”) por në një shtet ose zotëri tjetër - në Republikën e Kosovës. Tani jemi në pozitë të volitshme të shohim dhe të bindemi para se të filloj së zbatuari loja e lojtarit të njëjtë me një zotëri ose gjyqtar tjetër se çka janë duke bërë; a po planifikojnë skandale të ngjashme sikur në Shqipëri, apo diçka më shumë? Në ofrimin e përgjigjes, do të bazohemi në burimet sekondare dhe në faktet me harta, skica, dhe plane që janë të miratuara zyrtarisht. Instituti INEPRA ka dëshmi të konsiderueshme zyrtare që mund t’ia ofroj medieve dhe publikut, por në këtë studim do t’i përdorë vetëm disa sosh që do të jenë të mjaftueshme për ta kuptuar skandalin kombëtar që është duke u planifikuar në Kosovë.

 

1. Vonesat në përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin

e autstradës Vermicë - Merdare

 

     Sikur me rastin e autostradës së “kombit” në pjesën e Shqipërisë ku fillimi i punimeve ishte vonuar për tre muaj, edhe në Kosovë deri në momentin kur po shkruajmë ato janë vonuar për tre muaj. Ndërtimi i Autostradës Vërmicë - Merdare ishte planifikuar të filloj në muajin nëntor 2009. Bindja e parë në opinion ishte se shtyrja e afatit, madje në përzgjedhjen e kompanisë, u bë shkaku i zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 15 nëntor. Pasi u rehatuam disi me ato zgjedhje të cilat në fillim u cilësuan si historike por më vonë dolën disi për faqe të zezë, u dha njoftimi se përzgjedhja e kompanisë që do të ndërtoj autostradën ose të vazhdoj atë të Shqipërisë nëpër Kosovë, do të bëhet deri në fund të vitit 2010. Përzgjedhja u bë në janar 2010 dhe fituesi doli të jetë konzorciumi Bechtel&Enka. Me procedurat e përzgjedhjes dhe shkaqet e zgjedhjes së këtij konzorciumi nuk do të merremi këtu. Ajo që është duke i interesuar shumë publikut dhe thuajse të gjithëve, është vendimi i papritur për ndryshimin e trasesë së autostradës Vermicë - Merdare. Se çka fshihet në këtë vendim thuajse sekret, kush qëndron prapa, dhe cili është qëllimi i tij, këtë do ta mësojmë më vonë.

Së pari do ta trajtojmë versionin e miratuar vite më parë për trasenë e autostradës.

 

2. Cili është versioni zyrtar i miratuar për autostradën Vermicë - Merdare?

 

A government that robs Peter to pay Paul can always depend on the support of Paul (Qeveria që vjedh Pjetrin për të paguar Palin, gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Palit) - George Bernard Shaw.

 

     Për autostradën Vermicë - Merdare është kryer studimi i projektit ideor (fizibilitetit) dhe ai është miratuar vite më parë. Në vijim do t’u sjellim pjesë nga ky version me dokumentet zyrtare. Në bazë të asaj me të cilën është e njohur shumica e publikut dhe atyre që u ka interesuar puna e autostradës, traseja e miratuar do të shtrihet nëpër këto lokacione: Vermicë - Zhur - Poslisht - Vlashnje - Prizren - Atmagj - Dushanovë - Trepticë - Petrova - Caprac - Shpenadi - Velezhë - Novak - Trnje - Leshan - Suharekë - Sllapuzhan - Bllacë - Duhel - Grejqevc dhe Lluzhnicë - Shtime - Carralevë - Belicë - Godanc i Epërm dhe i Poshtëm - Lipjan - Bregu i Zi - Kraishte - Torinë - Rufc i vjetër&ri - Ribar i madh&vogël - Halilaq - Suhadoll - Skullan - Lepi - Fushë Kosovë - Batush - Miradi - Uglar - Prishtinë - Shkabë - Bernicë - Nëntë Jugoviq - Leban - Prugrovc - Besi - Trudë - Rimanisht - Obiliq - Mazgit - Lazarevë - Podujevë - Ternavë - Bellopojë - Grdoc - Kaqipeg - Dumosh - Sibovc - Gllavnik - Sveqel - Surkish - Balloc - Shtedim - Miroc dhe Merdare.

 

 

Figura 1: Plani i trasesë së autostradës Vermicë-Merdare, në bazë të studimit detaj dhe preciz. Burimi: JAKKO PÖYRY INFRA, BPI-Consult GmbH, Branch Office, Erfurt (mungon data). Shkalla e zvogëlimit në hartë 1:300 000. © BPI-Consult GmbH dhe INEPRA (për qëllime studimi).

 

     Për shkak se të dhënat dhe emërtimet në hartën e prezantuar janë të madhësisë shumë të vogël dhe mezi vërehen, për lexuesit do t’i përmbledhim ato më kryesore. Fushat me katrorë të kuq prej kufirit me Shqipërinë deri në kufi me Serbinë, tregojnë zonën e plotë kah i bie autostrada. Kjo është e ndarë në katër segmente, ose siç e ka quajtur BPI-Consult, nënzona. Ato janë:

     Nënzona e I-rë:

     Prej kufirit me Shqipërinë deri në Suharekë (Therandë), me gjatësi prej 30,400 km

     Nënzona e II-të:

     Suharekë - Shtime - Lipjan, me gjatësi prej 33,552 km

     Nënzona e III-të:

     Shtime - Lipjan - Veriu i Prishtinës, me gjatësi prej 25,005 km

     Nënzona e IV-të (e fundit):

     Veriu i prishtinës - Kufiri me Serbinë (Merdare), me gjatësi prej 27,789 km

     Me këto matje të zbërthyera deri edhe në metra, BPI-Consult e ka dhënë gjatësinë e përgjithshme të autostradës prej 116,746 km. Ta provojmë a del kështu nëse i mbledhim gjatësitë e të katër nënzonave:

30,400+33,552+25,005+27,789 = 116,746, ose 116 kilometra e 746 metra.

     INEPRA i ka edhe skicat tjera në detaje më të imëta për secilin vend, fshat, dhe qytet kah duhet të kaloj saktësisht autostrada. Mendojmë se mjafton kjo që u prezantua për ta kuptuar se traseja e autostradës ishte dhe është punë e kryer në tërësi.

     Në vijim po u sjellim edhe versionin zyrtar dhe të pranuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT), i cili bazohet në po të njëjtën trase të BPI-Consult, por me disa të dhëna pak më ndryshe. Për nevojat e saj më praktike, MTPT-ja e ka ndarë trasenë në pesë zona sikur në figurën që vijon: 

 

 

 Figura 2: Klasifikimi i trasesë (me vijë të zezë) së autostradës sipas planit të BPI-Consult, me të dhëna përcjellëse. Burimi: MTPT (mungon data). © MTPT dhe INEPRA.

 

     Të dhënat që i pëmban Figura 1, është vështirë të lexohen për shkak të cilësisë së dobët të Figurës. Megjithatë, ne jemi pëpjekur me kujdes të madh të bëjmë leximin e tyre. Ajo që më shumti do t’iu interesoj të dini, janë të dhënat e përgjithshme, por për interesin e të gjithë të interesuarve, ne kemi bërë paraqitjen dhe pëmbledhjen ndryshe edhe të të dhënave specifike në Tabelën 1.

 

Tabela 1:

Paraqitja numerike dhe në vlera monetare e autostradës sipas seksioneve

 

 

L = Length (Gjatësia në km)

P = çmimi në € për km2

Σ = L x P (Vlera e përgjithshme në mil. €)

Seksioni A

35.45

3.84

136.13

Seksioni B

22.60

15.04

339.90

Seksioni C

19.62

2.54

49.83

Seksioni D

14.77

4.00

59.08

Seksioni E

25.73

2.78

71.53

 

 

 

 

GJITHSEJ

118,17 km

5.58

659,48

Burimi: Figura 2 dhe përllogaritje e Autorit.

       Vërejtje:

     Të dhënat për secilin seksion, sidomos në vlera monetare janë të rrumbullakësuara, prandaj vlera e përgjithshme kur pjesëtohet me çmimin mestar prej 5.58 milionë euro ndikon në gjatësinë e përgjithshme të autostradës, duke e shtuar atë për 20 metra. Në anën tjetër nëse e shumëzojmë numrin e përgjithshëm të kilometrave me çmimin mesatar, çmimi i përgjithshëm i autostradës do të jetë 659,38 milionë euro, ose për 100,000 euro më pak.Figurën 2 e cila mezi vërehet, çmimi i përgjithshëm duket se është 669,01 milionë euro. Nëse kjo tash pjesëtohet me çmimin mestar 5.58 milionë euro, gjatësia e autostradë shtohet në afër 120 km (nëpër njoftime për shtyp është dhënë 116,764 km).

     Të gjitha këto gjëra të vogla ndikojnë në rezultatet e ekonomistëve dhe statisticientëve, por për MTPT’në kjo është një cikërrimë aq e pakuptimtë sa që ata nuk do të bisedonin për të as në kafene kur është në pyetje një projekt i madh si autostrada. Nuk “fëlliqen” ata me 100,000 euro në projektet qindra milionëshe dhe nuk kanë pse të brengosen për ndonjë cikërrimë tjetër a janë në pyetje 20 metra apo afër 2 kilometra më pak ose më shumë. Sidoqoftë, edhe për neve dhe qytetarët nuk kanë rëndësi aq të madhe këto devijime standarde. E tëra që na mjafton është të mbajmë mend mirë se në Figurën 2, çmimi mestar për një kilometër të autostradës, është 5.58 milionë euro. Këtë jo vetëm që duhet ta mbajmë mend, por edhe ta shënojmë gjithkah nëpër vende të ndryshme. E kjo tash ka rëndësi tepër të madhe për analizën e mëtejme. Sepse, për tërë autostradën, edhe ne u pajtuam se devijimi prej 100,000 euro është diçka me të cilën politikanët tanë nuk do të “fëlliqeshin”. Tani me planin e ri ka dalë çmimi mesatar (dhe në fakt është kontraktuar) prej 7.5 - 8 milionë euro kilometër. Duket sikur për çdo kilometër planifikohen të shmangen ose fitohen (në këtë rast të vidhen) nga 2 deri në 2.5 milionë euro. Dhe kjo bazohet në dokumente faktike zyrtare, pa llogaritur edhe vjedhjet tjera në proces të “paplanifikuara”.

     Çmimi mesatar për kilometër ndryshon sipas Seksioneve ose Zonave. Te Seksioni B, çmimi prej 15 milionë euro për kilometër, ka të bëjë me hapjen e tuneleve. Por çka është jo e çuditshme por shumë e çuditshme, MTPT-ja propagandon se po e devijon autostradën për t’iu shmangur tuneleve që autostrada të kushtoj më lirë. Atëherë pyetja logjike është: Pse nuk u zvogëlua çmimi mesatar për kilometër së paku në lartësinë e atij të cilit do seksion, madje ne po e marrin atë më të lartin të mundshëm që gjendet në Seksionin D prej 4 milionë euro, por u dyfishua deri në 8 milionë pasi iu shmangën tuneleve? Kjo nuk do më shumë koment. Sepse nuk ka çka të komentohet kur logjikisht dhe haptas shihet dhe kuptohet.

 

3. Kush dëshiron ta ndërroj trasenë e autostradës,

për çfarë shkaku dhe qëllimi?

 

     Siç është njoftuar opinioni i gjerë, ministri i MTP-së, Fatmir Limaj, ka vendosur ta devijoj trasenë zyrtare të autostradës të miratuar më parë në bazë të studimit dhe matjeve. Ministri Limaj është deklaruar, po e cekim edhe burimin, në një intervistë për gazetën ‘Kosova Sot’, të datës 22 janar 2010, ballina dhe faqe 4-5, se “Devijimi nëpër Malishevë i autostradës kursen 400-500 milionë euro”. Kjo është një e pavërtetë e madhe. Arsyeja e devijimit nuk është kursimi. Nëse kursehen deri në 500 milionë euro, atëherë i bie që nga fondi i përgjithshëm sa është llogaritur se do të kushtoj ndërtimi i autostradës (shih Tabelën 1), ne do të ishim në gjendje ta ndërtonim atë me 160 milionë euro nëse bëhet devijimi nëpër Malishevë. Kjo përllogaritje del logjikisht nga gjykimi që i bënë Fatmir Limaj autostradës. Por kundërthënia më e madhe që del tash, është pse autostrada nuk po kushton 660 milionë euro (sa ishte llogaritur me tunele), por me devijim po i rritet çmimi mesatar në 7.5-8 milionë euro për kilometër dhe çmimi i përgjithshëm po rritet deri në 800 milionë? Edhe kjo nuk do më shumë koment.

Fatmir Limaj, ministri i MTP-së.

 

     Ndoshta duhet të bazohemi pak në thashetheme të cilat i kemi dëgjuar në publik. Thashethemet nuk kemi mundur t’i vërtetojmë ose t’i incizojmë dhe t’i hedhim diku në internet. Megjithatë, është me rëndësi vetëm t’i përmendim, sepse veprimet e tanishme të ministrit Limaj duket se i konfirmojnë ato. Në një mbledhje pasi Fatmir Limaj erdhi në krye të MTPT-së, paska grushtuar tavolinën me nervozë duke thënë: “N’koftë Fatmir Lima gjallë, ka me qu autostradën për Malishevë”. Shumica prej jush menjëherë do të bindeni thellësisht se ajo që kinse ka thënë Fatmir Limaj, nuk ka të bëjë me asgjë “kinse” por me një të vërtetë, sepse veprimet e tij të tanishme për devijimin e autostradës pikërisht nëpër Malishevë, e vërtetojnë fuqishëm grushtimin e tavolinës me nervozë. Ne nuk kemi nevojë dhe nuk na shërben asgjë të besojmë apo mos besojmë në grushtimin e tavolinës nga Fatmir Limaj. Ne sjellim fakte dhe argumente që vërtetojnë se devijimi i autostradës bëhet për qëllime klientelizimi, nepotizmi, korrupsioni, krimi të organizuar dhe mercenarizmi pa kurrfarë logjike ekonomike. Se Fatmir Limaj e do autostradën kah arat e veta, kjo tanimë është kuptuar si argumenti kryesor. Por nuk është i vetmi.

     Argument tjetër është se Fatmir Limaj dhe rrethi i tij në Qeveri, janë duke e plaçkitur buxhetin e Kosovës, jo vetëm për veti por edhe duke ua dhënë të huajve dhe shteteve armike. Vetëm në përzgjedhjen e kompanisë për autostradën, këta kanë rrëmbyer 5,547,827 euro përnjëherë në emër të firmës “konsultuese” Amy Metom nga Izraeli. Se a i mori shumicën e atyre mjeteve tandemi Thaçi-Limaj dhe klani i tyre apo izraelitët, kjo nuk ka rëndësi. Me rëndësi është se kemi të bëjmë me plaçkitje. Izraeli i quan shqiptarët e Kosovës terroristë dhe refuzon ta njoh pavarësinë e Kosovës. Me mbi 5,5 milionë euro, ne kishim mundur t’i sigurojmë së paku dy njohje të pavarësisë.

     E çka bëri ajo firmë “konsultuese” nga Izraeli?

     A ia di kush rezultatet e konsulencës asaj në Kosovë rreth autostradës?

     Ku janë analizat e saj dhe ku janë botuar që publiku të ketë qasje në to?

     Me mbi 5,5 milionë euro bëhet punë shumë e madhe, ndërsa Qeveria dhe MTPT-ja i avullojnë pa u marrë vesh se çka u bë me to. Për Qeverinë thamë më herët se ajo nuk “fëlliqet” me nga 100,000 euro në projekte e mëdha; ajo keqpërdorë vetëm miliona. Keqpërdorimi i qindra mijëra eurove, është biznes i nivelit më të ultë qeveritar.

     Nuk është hera e parë që Qeveria avullon kështu milionat në llogari të të huajve, madje për propagandë për t’ia dëmtuar imazhin Kosovës. Para një viti, Qeveria i kishte dhënë hiq më pak se 5 milionë euro firmës Saatchi&Saatchi, gjoja për t’ia përmirësuar imazhin e Kosovës nëpërmjet reklamës me parullën “Kosovo: The Young Europeans (Kosova: Evropianët e Rinj). Çfarë imazhi i krijon kjo Kosovës kur nëpër fotografi dhe pllakata shfaqen disa çoroda flokëshprishur, veshje bajate, profesione në të cilat nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, si “filani luan basketboll”, “kjo skilipecja di t’i bie violinës”, e kështu me radhë. Nga pamja, shumica e evropianëve po të bëjnë një xhiro nëpër Kosovë dhe të shohin se si duken në pamje shumica e popullsisë së Kosovës, do të dyshojnë seriozisht nëse ata që duken në pano janë shqiptarë.

     Devijimin e autostradës për Malishevë Fatmir Limaj e ka ripërsëritur edhe në një debat në Klan TV me datën 04. 02. 2010, në emisionin me titull “Zona e Debatit” të udhëhequr nga Baton Haxhiu. Ministri Limaj ripërsëriti qëndrimin e tij për “kursimin” e 4 -500 milionëve, siç thoshte ai, të qytetarëve të Kosovës. “Nuk di nëse do të jetë kush kundër kursimit të 500 milionë eurove të qytetarëve të Kosovës”, tha përafërsisht Ministri. Kur jemi te kursimi i buxhetit të shtetit, duhet t’ua bëjmë të njohur edhe një fakt, megjithëse shumë i njohur për publikun por vetëm po ua rikujtojmë. Ministri Limaj dhe klani i tij i përfshirë edhe në LDK, është përgjegjës për keqpërdorimin e 1,5-1,8 milionë eurove në një projekt skandaloz për asfaltimin e një rruge lagjesh në fshatin Rakosh, Uçë dhe Zhakovë të komunës së Istogut në gjatësi prej 7 km, i cili kishte filluar së zbatuari në nëntor të vitit 2008. Projekti përfundoj pas një viti. Nuk kaluan as dy muaj dhe rruga e asfaltuar shkel e shko, filloj të prishet. MTPT-ja duke e ditur se edhe budallai e ka marrë vesh se çka kanë bërë, sepse skandali me atë rrugë tani është evident, për t’u shpërlarë doli në opinion se nuk e pranon punën që e kishte bërë kompania. MTPT’ja nuk bëri zë për skandalin financiar që fshihej pas asaj pune, në të cilën ishte përfshirë edhe vetë, megjithëse një ekspert i institutit tonë me kohë e kishte paralajmëruar opinionin me argumente bindëse. Analiza dhe faktet nga terreni nga muaji dhjetor 2008, gjendet në këtë adresë interneti: http://gazetakritika.net/Forumi/index.php?itemid=1652.

     Në fakt, doli edhe më keq se që kishte paralajmëruar eksperti ynë. Nëse është dikush që më së shumti keqpërdor paranë publike, atëherë kjo është MTPT-ja.

     E ftuara në emisionin e Klan TV, ia sqaroj ministrit Limaj arsyet pse traseja e miratuar më herët është më e sigurt për komunikacion, më e mirë, me lidhje më të mira me autostradën e Shkupit, më lehtë e menaxhueshme, dhe më dobi prurëse nga aspekti ekonomik pasi kalon nëpër dhe pranë zonave urbane, se nëpër arat e batallinat e Fatmir Limajt në Malishevë. Ministri propozon ta fus autostradën nëpër Malishevë, Arllat, të dal në Komoran e të vazhdoj diku në Sllatinë dhe Besi të Fushë-Kosovës. Për këtë duhet studim i ri i cili nuk ekziston, ndërkohë që kompania për ndërtimin e autostradës është përzgjedhur.

 

Trinomi qeveritar: Hashim Thaçi - Fatmir Limaj - Adem Grabovci!

  

     Sikur në rastin e Saatchi&Saatchi, Amy Metom, Paja Patakut, The Young Europeans, e shumë tjera, qëllimi i Qeverisë është plaçkitja e shtetit dhe varfërimi i skajshëm i shoqërisë. Një Mal i Zi shkëmbor e ka Bruto Produktin Vendor (GDP) për kokë banori mbi 10.000 dollarë. Kosova si vend fqinjë i tij me të gjitha të mirat mbi tokë e nëntokë, diasporë të madhe, prezencë të madhe ndërkombëtare dhe donacione të shumta, ka një GDP prej vetëm 2.300 dollarë ose gati pesë herë më të vogël se të Malit të Zi. Pse ka ndodhur kjo dhe me tendencë të përkeqësimit të mëtejmë për Kosovën? Sepse klani i Fatmir Limajt ka vendosur t’i detyrojnë shqiptarët e Kosovës të kursejnë, e mjetet e kursyera këta në pushtet t’ua japin firmave të çfarëdoshme ndërkombëtare. Kjo është logjika e kursimit sipas Qeverisë e më pas e plaçkitjes së tij, që i përgjigjet anekdotës për gomarin e Nastradinit.

 

4. Skandali i Skandaleve: Shërbyesi Bechtel&Enka si zotëri e Zot!

 

     MTPT-ja kah mesi i janarit 2010 kishte kërkuar lejen e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) për t’ia dhënë tenderin konsorciumit Bechtel&Enka. Ky konsorcium kishte kërkuar 600 milionë euro për ndërtimin e autostradës nëpër trasenë e miratuar në bazë të studimit. Papritmas MTPT-ja del në opinion me njoftimin se konzorciumi ka konkurruar me dy propozime, i dyti që parasheh ndërrimin e trasesë në një pjesë të autostradës dhe orientimin e saj sipas qejfit të Fatmir Limajt nëpër komunën e Malishevës. Konsorciumi paska kërkuar 500 ose 100 milionë euro më pak për ndërtimin e autostradës nëse ajo devijohet. Të jemi të qartë për një gjë. Kompania, i kontraktuari ose shërbyesi nuk mundet dhe nuk guxon të paraqitet me propozime të veta dhe të vendos së kah duhet t’i bie autostrada. Është shteti ai i cili e shpallë ankandin për projektin e caktuar. Ofertuesit konkurrojnë në atë që e shpall shteti, e nuk vendosin për projektet që nuk janë të tyre. E vërteta është se Bechtel&Enka janë fare të vetëdijshëm se ata janë vetëm punë kryes të projekteve që u ofrojnë subjektet e ndryshme. Këtë praktikë e ka çdo kush në botë. Nëse ju jeni firmë dhe shpallni ankandin (tenderin) ku i ftoni ofertuesit, atëherë ata vetëm ua prezantojnë ofertat për realizimin e atij projektit. Askund në botë nuk ndodh që ofertuesit t’ia shpallin kushtet e ofruesit të projektit (në këtë rast MTPT-së) të pavlefshme, dhe të imponoj kushte që i do vetë kompania punë kryese. Përndryshe, nëse vijnë këso propozime dhe imponime, kjo shërben si bazë e mirë për diskualifikimin e asaj kompanie. Edhe në rastet kur ju si individ konkurroni diku për punë, kompania u tregon kushtet dhe detyrat që ju duhet t’i kryeni. Për shembull, kompania shpall konkursin për një drejtues kamioni në relacionin Prishtinë - Pejë pas studimit detaj se i duhet një person për ta mbajtur këtë linjë. Tani, një kandidat del me shpifjen se atij nuk i pëlqen të punoj ose kryej punën që ia ofron subjekti, por i propozon subjektit të drejtoj kamionin në relacionin Prishtinë - Malishevë (te Arat e Fatmir Limajt). Subjekti punëmarrës pasi e ka rekrutuar drejtuesin e kamionit, tash i bindet drejtuesit për ta ndërruar destinacionin si ia do qejfi drejtuesit. Kjo nuk do koment. Kur ju konkurroni diku, subjekti punëmarrës u thotë shumë qartë: “N’daq kështu, mirë; s’deshe e gjëjë tjetrin menjëherë. Edhe mos m’u shit t’i mua si ofertues se çka duhet të bëjë unë, e aq më pak ato fyerje se çka dëshiron t’i të bësh me mua. Nuk je ti zoti i këtij projekti por jam unë. Nuk jam unë si ofrues i projektit shërbëtor i juaji por duhet të jesh ti i imi dhe t’i përmbahesh me përpikëri rregullave të mia. Jam unë ai që i përcaktoj rregullat e lojës, madje për ty, e jo anasjelltas”.

     Derisa logjika që u përshkrua në paragrafin e mëhershëm është e qartë, duam t’iu bëjmë me dije se ndërrimi i trasesë nuk po tentohet të bëhet nga Bechtel&Enka por nga vetë Fatmir Limaj. Bechtel&Enka nuk e ka grushtuar tavolinën me nervozë se kah duhet t’i bie autostrada në Kosovë. Prandaj, vendimi për ndryshimin e trasesë ka ardhur nga ministri Limaj i cili e ka ndërsyer konzorciumin të paraqitet me propozime të kundërligjshme për llogari të tij dhe miqve të tij. Konzorciumi nuk e ka pasur ndërmend, dhe nuk ia ka lejuar ndonjë normë e ligji, të vendos për ndryshimin e trasesë. Por kur ministri Limaj është marrë vesh me matrapazët e konzorciumit, atëherë normal që edhe konzorciumi pajtohet të dal me propozime si imponime. A do të kishit ju gjasa teorike si firmë ndërtimi/asfaltimi që, kur të konkurroni për ndërtimin e një autostrade në Turqi, t’i thoni qeverisë turke se do ta devijojmë autostradën prej Diarbakirit në Stamboll nëpërmjet Bursës? Përgjigja logjike që e dimë të gjithë, është JO. Por në rast se keni të bëni me ndonjë ministër turk si Limaj në Kosovë, përgjigja mund të jetë edhe PO nëse iniciativa vjen nga ministri turk që t’iu propozoj juve se me çfarë propozimi duhet të dilni ju si komani për devijimin e autostradës dhe ta fusni kah arat e ministrit turk. Kjo është teorikisht e mundur në Turqi, sepse Turqia është shtet normal shumica e tjerëve dhe do të merrte masa të menjëhershme kundër ministrit.

     Po e citojmë ministrin Limaj nga debati i tij në Klan TV më 04 shkurt 2010: Ka ardh një propozim nga kompania [Bechtel&Enka] për devijimin e trasesë, dhe i është dhënë drita e gjelbër Qeverisë për ta marrë në shqyrtim”.

     Kjo deklaratë e papërgjegjshme meriton disa komente dhe sqarime.

     E para, kompania nuk guxon të dal me propozime për devijim të trasesë pasi është shpallur fitues. Ajo është shpallur fituese për trasenë e miratuar të cilën e ka shumë të qartë me studim.

     E dyta, Qeveria nuk duhet dhe nuk guxon të marrë në shqyrtim propozime për devijime të trasesë, pasi me këto punë janë të specializuara kompanitë e konsaltingut dhe jo kompanitë ndërtimore.

     E treta, propozimi i Bechtel&Enka për devijim të trasesë, e vërteton dyshimin për grabitjen e mbi 5,5 milionë eurove nga Qeveria në bashkëpunim me firmën konsulente Amy Metom nga Izraeli, dhe hedh poshtë qëndrimet zyrtare se kjo firmë është përzgjedhur dhe paguar për konsulencë rreth autostradës. Kuptohet se kjo firmë është e specializuar në atë konsulencë për çfarë thirret, por qëllimi i parë, i dytë, i tretë dhe i fundit i MTPT’së dhe Qeverisë së Kosovës kur e përzgjodhën atë, ka qenë dhe doli shpërlarja dhe vjedhja e parave. Argument i fuqishëm për këtë është se MTPT’ja e Fatmir Limajt tani ka vendosur që tërë konsulencën t’ia besoj Bechtel&Enka dhe shumica e asaj nga Amy Metom bie në ujë çfarëdo që është.

     E katërta, sikur të vinte propozimi nga konzorciumi, ai me siguri do ta kishte orientuar autostradën kah Gjakova, ta përcaktoj çfarëdo gjatësie, kah do t’i bie (në magjistralen ekzistuese Prizren - Gjakovë sepse kushton shumëfish më lirë), për Ferizaj, ta vazhdoj në Prishtinë dhe ta kthej për Mitrovicë, e kurrsesi nuk ishte kujtuar ta fus nëpër arat e Fatmir Limajt dhe farefisit të tij.

     E pesta, kompania është e detyruar të ndërtoj vetëm ato rrugë që ia përcakton ofruesi i projektit. Nëse shpallni ankand për ndërtimin e një autostrade prej malit të Pashtrikut e deri në majën e Gjeravicës, të jeni të bindur se do të keni sa të doni kandidatë që konkurrojnë me ofertat dhe çmimet e tyre.

     Për ta përmbyllë këtë argument prej disa pikash, po theksojmë se ndërrimi i trasesë së autostradës nuk vjen nga Bechtel&Enka por nga grushtimi me nervozë i tavolinës nga Fatmir Limajt para një viti. Pse konzorciumi nuk po e devijon autostradën në çfarëdo drejtimi që i teket dhe i duket më lehtë pos kah arat e Fatmir Limajt? Mbani mend vetëm një gjë: Është absurde të dal konzorciumi e të thotë se këndej është më e lehtë dhe kushton më lirë. Konzorciumit nuk i intereson fare a do të ketë nevojë të shpohen tunele në terrene shkëmbore ose të çelikta, sepse ato e kanë çmimin e punës. Nuk i intereson konzorciumit a duhet të kaloj autostrada nëpër deti (ka të tilla, si psh. urat e gjata). Për çdo që e shpallni tenderin (tunele në shkëmbinj, terren i “hekurt”) konzorciumi ua ofron çmimin. Por tash po duket se tenderin po e shpall Bechtel&Enka për veti. Në fakt e ka shpallur Fatmir Limaj për veti, e kurrsesi konzorciumi. Absurd!

     Për tenderin e ri të Fatmir Limajt për devijim të autostradës, çdo gjë tash do të vendoset nga konzorciumi. Në këtë punë të shtrembër, juristi Limaj ka marrë vendim që askush nga Kosova të mos i përzihet konzorciumit. Ai është duke e intensifikuar këtë. Të citojmë një lajm nga gazeta ditore e Kosovës ‘Koha Ditore’, e datës 28 janar 2010, faqe 8: “Për segmentin Malishevë - Besi [trase e re] vendos kompania e kontraktuar, ministria [private me  pronarin e saj Fatmir Limaj, v.j.] nuk përzihet: Bechtel&Enka vendos për ndryshimet e trasesë”. Shihet qartë se ministri Limaj e ka ftuar konzorciumin të bëjë çfarë të dojë, derisa qëllimi është te Malisheva. Kjo ka për t’i kushtuar shumë Kosovës, pasi për pjesën e devijimit, konzorciumi duhet ta filloj studimin ideor (të fizibilitetit) nga zero.

     Çdo të ndodhë me studimet për pjesën e trasesë së mëhershme e cila tash synohet të anashkalohet?

     Nuk është vetëm Fatmir Limaj dhe Qeveria në këtë lojë të kaladredhavt kundër interesave të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës dhe për llogari të tyre personale, familjare, klanore dhe disa të huajve nën hije. Mund të jetë edhe Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

     Për çka ishte Fatmir Sejdiu për vizitë në Turqi, në fillim të shkurtit?

     Për diplomaci, bashkëpunim ndërmjet dy shteteve, përkrahje të Turqisë ndaj Kosovës. Kështu thonë mediet të cilat nuk kanë arritur ta hulumtojnë përkrahjen e dy Fatmirave (Sejdiu dhe Limaj) të Kosovës për kompaninë Enka të Turqisë në kurriz të Kosovës. Pse kryetari i Turqisë Abdullah Gyl i ofroj Fatmir Sejdiut aeroplan special për t’u kthyer në Kosovë? Që Sejdiu të mos vonohej për varrimin e Fadil Feratit (siç u dha në shtyp ky arsyetim i paarsyeshëm)? Absolutisht jo. Fadil Ferati vdiq me 30 janar dhe u varros me 03 shkurt 2010. Sejdiu do të mund të vinte edhe me biçikletë nga Turqia pa u vonuar për asgjë, sepse Tuqia është afër. Pse asnjë zyrtarë i qeverisë turke nuk i ofroj Bajram Kosumit një aeroplan special për t’u kthyer në Kosovë në vitin 2006? Sepse, ndoshta, Bajram Kosumi si kryeministër i atëhershëm i Kosovës nuk kishte angazhuar ndonjë kompani turke t’ia asfaltoj rrugën e tij në Tugjec!

 

5. (Pa)arsyeshmëria ekonomike e devijimit të trasesë nga ministri Limaj

dhe propaganda e zëvendësit të tij Grabovci

 

     Përpos mungesës së arsyeshmërisë shkencore për devijimin e trasesë, ministri Limaj dhe zëvendësi i tij Adem Grabovci vazhdojnë me iluzione pa u referuar në asnjë plan konkret, për përfitimet ekonomike që do t’i sjellë autostrada. Siç u theksua dhe vërtetua në nëntitullin paraprak, traseja e re e shpikur nga ministri Limaj kalon nëpër zona kryesisht rurale larg qyteteve. Kur studimi është i përfunduar në tërësi dhe përzgjedhja e kompanisë ende nuk është e bërë, duket normale në çdo vend të botës, sepse kështu e kërkojnë rregullat. Por të zgjidhet kompania dhe në një pjesë të filloj punimet, e në tjetrën të filloj me studimin ideor, duket e paarsyeshme. Meqenëse zonat ku devijohet autostrada janë kryesisht rurale dhe në to nuk është planifikuar ndonjë investim i madh, sepse ende duhet pritur studimin ideor për autostradën, atëherë është shumë e qartë se nga autostrada në këto zona do të përfitojnë kryesisht vetëm automjetet që qarkullojnë poshtë e lartë. Asnjë biznes i madh nuk është planifikuar të vendoset në Arllat ose Bajë të Malishevës (vendlindja e ministrit Limaj), dhe asnjë investitor i madh nuk është konfirmuar se ka plan për investime atje. Por ajo që po synon të bëjë MTPT’ja me devijimin e trasesë duke e futur në këto fshatra dhe këtë rajon, është se po i lufton investimet e planifikuara dhe gati për të filluar në vlerë prej qindra miliona, madje ndoshta edhe miliarda euro në rajonin të cilin qëllimisht synon ta lë jashtë autostradës. Fjala është për komunën e Lipjanit. Me këtë hedhen poshtë të gjitha thashethemet e MTPT’së dhe kujtdo që përpiqen të na bindin se devijimi i trasesë për Malishevë, Gjakovë, apo Ferizaj kursen kaq miliona euro dhe mund të ndërtohet edhe me 5 euro. Edhe sikur ndryshimi i trasesë të kursej 500 milionë apo edhe 1 miliardë euro, shikoni Figurën më poshtë se çfarë dëmesh të pallogaritshme do të sjell devijimi i autostradës sipas tekeve të ministrit Limaj kah arat e tij.

 

 

P = 1: 200 000, zona në studim 135 hektarë.

Figura 3: Projekti ideor urbanistik i Qytetit të Agrobiznesit “ULPIANA”, Art Design 2009. © INEPRA.

     Autostrada sipas trasesë së miratuar me të cilën u njohëm më herët, në Figurën 3 është e theksuar me vijë të trashë që fillon nga vendi i quajtur Kraishtë dhe ndan “Zonën në studim” (një mega-projekt investiv) përgjysmë. Kjo është pjesa ku ministri Limaj ka vendosur ta heq nga autostrada për llogari të arave të tij. Investimet që do të ndodhin këtu nuk janë deklarata të Adem Grabovcit për përfitimet ekonomike që do të sjell autostrada, por plane konkrete të miratuara me të gjitha lejet e nevojshme komunale dhe zyrtare, dhe me investitorë të gatshëm. Vendi është lokacion strategjik në afërsi të qytetit të Lipjanit, stacionit hekurudhor, dhe aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Mandej, Plani i zhvillimit i komunës së Lipjanit (PZhKL) ka hartuar projekte me vlera të mëdha investive dhe vetëm pret fillimin e realizimit të tyre. Të gjitha këtyre planeve konkrete që presin realizimin, u ka shpallur luftë ministri Limaj i cili tenton t’ua ndaloj autostradën dhe t’i tremb investitorët vendorë dhe të huaj.

     Në Figurën 4, janë treguar zonat e banuara që ndodhen afër zonës në studim si dhe pjesa urbane e qytetit të Lipjanit.

 

 

Figura 4: Një pamje tjetër e trasesë së miratuar, të cilën ministri Limaj synon ta heq nga autostrada në shkëmbin të devijimit nëpër fshatrat e Malishevës. © PZhKL dhe INEPRA.

 

     PZhKL, ku gjendet edhe Figura 4 të cilën e ka nxjerrë Drejtoria komunale për urbanizëm, shihet qartë se autostrada i bie në mes të Zonës në studim (tani e studiuar). Përndryshe, Orientimi zhvillimor i Lipjanit, përpos “Zonës së studiuar”, është shumë i justifikueshëm edhe me 3 fakte të pamohueshme:

     Për arsye se Lipjani tanimë është zonë e Kryeqytetit në zhvillimin 10-15 vjeçar.

     Ky regjion është me 2 Resurse shumë atraktive turistike por ende të panjohura për investitorët dhe turistët e huaj:

     I) Parku kombëtarë BLINAJA; dhe

     II)Shpella e Gadimes.

     Asnjëra prej këtyre nuk gjendet në Arllat ku po synohet të devijohet autostrada, por në komunën e Lipjanit ku duhet të kaloj autostrada siç është planifikuar dhe miratuar.

     Në Lipjan, përkatësisht në "Rrethrrotullimin" e tij, lidhet drejtimi për kyçje me Maqedoninë dhe Preshevën, respektivisht korridori i X-të dhe i VIII-të.

     Prandaj, këto janë edhe më shumë arsye pse gjermanët janë orientuar në përcaktimin e aresyeshmërisë ekonomiko-strategjike të kësaj traseje. Kjo pra është nyja kryesore e përfitimit ekonomik numër një dhe më të madh të autostradës. Asfaltimi i rrugëve nëpër zona rurale si Bajë dhe Arllat, qofshin edhe autostrada, nuk i sjellë këto përfitime ekonomike. Edhe përvoja e fundit në rrugën e lagjeve në fshatin Uçë, Rakosh, dhe Zhakovë, ka treguar se edhe po të investohen miliarda euro në infrastrukturën rrugore, kur vendet nuk janë strategjike për ekonominë, nuk mund të sjellin përfitime ekonomike. Këtë e di edhe zëvendës ministri i MTPT-së, Adem Grabovci, i cili mund të marr shembullin e asfaltimit të rrugës në fshatin e tij të lindjes, Saradran të Komunës së Istogut, para shumë rrugëve tjera regjionale në vendbanimet që ishin të karakterit më strategjik.

Adem Grabovci - zëvendësministri i MTPT'së, duke prezentuar versionin

zyrtar të autostradës, ndërsa sot e mbron versionin e devijuar të Fatmir

Limajt, atë për Malishevë!

 

6. Financimi i autostradës

 

     Flitet shumë edhe për mënyrën se si do të financohet autostrada, ndonëse ne e cilësojmë këtë si problem të dorës së dytë në krahasim me të papriturat që po synon t’i imponoj MTPT’ja, e të cilat, nëse vazhdojnë sipas synimeve të tyre, e rrezikojnë ndërtimin e autostradës që mund ta përcjellin një numër i problemeve edhe më të mëdha se në Shqipëri. Thuhet se (qëndrimi zyrtar i MTPT’së dhe Qeverisë së Kosovës) “Autostrada do të financohet me kredi të buta”. Ato për Kosovën nuk janë aq të buta duke e ditur rënien e normave të kamatës (jashtë Kosovës) gjatë krizës financiare. Financimi me pagesë ose taksa të automjeteve nuk duket zgjidhje pasi i bie që qytetarëve dy herë t’u merren para - nga buxheti i shtetit për ndërtimin e autostradës, e më vonë pas ndërtimit të saj me futjen e taksave në shfrytëzimin e autostradës.

     Një propozim që e japin ekspertët e ekonomisë, është se Kosova ndoshta nuk ka nevojë të hyjë borxh për ndërtimin e autostradës, por mund të shfrytëzoj fondet e ndryshme të saj si Trustin e Pensioneve, Fondin e Privatizimit dhe ndonjë fond tjetër që arrijnë shumën 800 milionë euro, ose aq sa kërkohen për ndërtimin e autostradës. Kjo nuk është zgjidhje. Problemi është se këto fonde janë krijuar dhe kanë arritur në vlerën e tanishme për një kohë të gjatë, prandaj nëse ne duam t’i investojmë përnjëherë në tërësi apo pjesë-pjesë, atëherë duhet të mendojmë se si do të kthehen ato mjete. Autostrada nuk është sektor që gjeneron të ardhura (me përjashtim kur shfrytëzohet me pagesë, në Shipëri është pa pagesë). Prandaj, mjetet për kthimin e atyre fondeve duhet të vijnë nga sektorët tjerë të ekonomisë. Kthimi do ishte i mundur nëse traseja e Autostradës NUK NDRYSHOHET dhe i bie ashtu siç është planifikuar dhe miratuar - nëpër komunën e Lipjanit - të cilin e pret një bum i madh i biznesit. Nga Banja dhe Arllati i Malishevës kthimi i mjeteve për ndërtimin e Autostradës nuk ka gjasa të ndodhë përjetë.

     Te fondi i privatizimit, ekspertët e ekonomisë po harrojnë diçka. Dihet se ai fond mbahet i ngrirë, por sipas legjislacionit në fuqi, ai e ka një destinacion, e ky është shlyerja e kërkesave kreditore ose kthimi i borxheve të ndërmarrjeve shoqërore pas privatizimit të tyre. Nuk mund të llogarisim në këtë fond, sepse nuk është aq i sigurt. Autostrada duhet të financohet kryesisht (ndoshta në tërësi) me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare.

     Për këtë dhe problemet tjera që u shtjelluan në këtë punim, Instituti INEPRA paraqet qëndrimet dhe rekomandimet e tij në nëntitullin që vijon:

 

Qëndrimet dhe rekomandimet e INEPRA’s

 

    Në këtë punim kemi prezantuar argumentet të bazuara në të dhënat zyrtare që vërtetojnë vendimin e paarsyeshëm të ministrit Limaj për devijimin e trasesë së autostradës Vermicë - Merdare. Njohja me përvojën e Shqipërisë dhe përshkrimi i shkurt i sfidave dhe pengesave që janë hasur atje, është një mësim i mirë edhe për Kosovën, meqenëse kemi të bëjmë me të njëjtën firmë të kontraktuar, e cila ka ndërtuar autostradën Durrës - Kukës - Morinë (dhe ende nuk e ka përfunduar si duhet). Vazhdimi i asaj autostrade prej Vermicës deri në Merdare, është projekti më i madh pas luftës në Kosovë 1998-99 që do të filloj së zbatuari. Pas shumë vonesave, ka dalë, ose më mirë të themi është shpikur me qëllim, një pengesë serioze që mund ta zhagis më tutje fillimin e realizimit të projektit, e ndoshta edhe ta rrezikoj në tërësi projektin. Instituti INEPRA me këtë rast shpreh qëndrimet e tij si vijon:

     Ndryshimi i trasesë ekzistuese të miratuar për autostradën Vermicë - Merdare nuk po synohet të bëhet me kurrfarë qëllimi të kursimit të mjeteve financiare. Konzorciumi Bechtel&Enka fillimisht kishin kërkuar 600 milionë euro për realizimin e projektit në trasenë ekzistuese zyrtare dhe të miratuar në bazë të studimit. MTPT’ja kishte llogaritur se autostrada do të kushtoj afër 670 milionë euro, ose më shumë se ç’kishte kërkuar konzorciumi. Tash me idenë për ndryshimin e trasesë që të “kursej” 500 milionë euro, konzorciumi u kontraktua për 800 milionë euro!

     Ndryshimi i trasesë nuk bazohet në kurrfarë studimi dhe analize krahasuese pos idesë që ajo të kaloj nëpër Malishevë, sipas të gjitha gjasave me iniciativën e ministrit Fatmir Limaj, sepse, ky po e mbron trasenë e re të shpikur vetë dhe atakon trasenë e miratuar nëpër komunën e Lipjanin shkaku se, sipas tij, të shmanget hapja e tuneleve te qafa e Dules.

     Çmimi mesatar për kilometër deri vonë ishte 5.58 milionë euro. Pas shpifjeve për “krusim” mjetesh dhe orientimin e autostradës në terrene më të “përshtatshme” që kushtojnë më lirë, ku çmimi u ngrit në 7,5-8 milionë euro për kilometër. Këtu ekziston dyshimi serioz për korrupsion të madh dhe ashiqare.

     Ftesa që MTPT’ja i bënë konzorciumit Bechtel&Enka për të bërë studimin ideor në trasen e re të shpikur dhe të marrë në dorë çdo kompetencë rreth autostradës, sugjeron se një kompani e huaj është mbi shtetin dhe shoqërinë e Kosovës. Pra, Kosova në këtë drejtim nuk ka kurrfarë sovraniteti. Ky është një sinjal shumë i keq për institucionet financiare ndërkombëtare të cilat nuk mund ta financojnë autostradën, sepse për të duket se pyetet konzorciumi e jo shteti i Kosovës. Konzorciumit nuk i intereson fare se nga vijnë mjetet dhe kush i jep ato.

     Vonesat dhe tendencat për ndërrimin e trasesë së autostradës, përsëri përcjellin sinjale negative tek institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do të tregohen të rezervuara dhe nuk do ta financojnë ndërtimin e autostradës kur kuptojnë se ajo ndryshohet sipas grupeve të caktuara. Ato nuk mund t’i jepin kredi një shteti kur e dinë qartë se me ardhjen e qeverisë së re, borxhi i qeverisë paraprake nuk mund të njihet nëse shumica e atyre kredive kanë shkuar në llogaritë e njerëzve të caktuar dhe klaneve të tyre brenda dhe jashtë Kosovës.

     Traseja për devijimin e autostradës, është goditje serioze për investimet e mëdha që janë planifikuar, të cilat kanë paraparë edhe autostradën në studimet e tyre detaje afariste. Asgjë e ngjashme nuk është planifikuar në rajonin ku bëhet devijimi i autostradës.

 

Rekomandimet kryesore të Institutit INEPRA janë:

 

     Traseja e miratuar në bazë të studimit ideor nuk guxon të devijohet. Ekzistojnë paqartësi dhe rreziqe serioze nëse ky devijim bëhet, dhe jemi të bindur se do të hasë në kundërshtime shumë të forta, madje edhe për sabotimin e projektit.

     Kompanitë punë kryese nuk mund të bëjnë propozime për ndryshime të trasesë, e as të merren me studime ideore për trasetë që i propozojnë ato si të duan, vetë apo me kërkesën e MTPT-së.

     Çmimi i përgjithshëm i kontraktuar për autostradën duhet të jetë i pandryshueshëm prej fillimit e deri në përfundim të realizimit të projektit. Nuk duhet të lejohet praktika e Shqipërisë ku i kontraktuari imponon shpenzime shtesë gjatë punës dhe në fund e dorëzon faturën përfundimtare që duhet ta paguaj Qeveria.

     Një komision mbikëqyrës duhet ta përcjellë punën e Bechtel&Enka për cilësinë e punimeve. Defektet që mund paraqiten sikur në Shqipëri si rezultat i punës jo cilësore, duhet t’i riparoj kompania me mjetet e veta ose nga fondi i përgjithshëm i kontraktuar për autostradën. Komisioni mbikëqyrës do të përkujdesej edhe për respektimin e afatit të përgjithshëm dhe afateve në faza sipas pjesëve të punës nga i kontraktuari. 

     Financimi i autostradës duhet të bëhet me fondet e organizatave të mëdha ndërkombëtare, pra me kredi ndërkombëtare. Kosova nuk ka mjete për t’i investuar në autostradë dhe ekonomia e saj e varfër nuk mund ta përballoj këtë kosto. Edhe shtete tjera të zhvilluara si Sllovenia, Kroacia i ndërtojnë autostradat me kredi ndër - kombëtare. Ato kanë borxhe të mëdha për infrastrukturën rrugore dhe krahas kthimit ë tyre të pjesshëm vazhdojnë të zhyten edhe më shumë në borxhe. Kështu ndodh nëse me kredi punohen punë të mira dhe të arsyeshme, pavarësisht çmimin. Por kjo nuk ka gjasa të ndodh për autostradën Vermicë - Merdare, nëse bëhet devijimi për Malishevë.

     Që të fillojmë sa më shpejtë autostradën, të sigurojmë kreditë e nevojshme nga institucionet financiare dhe përkrahjen e tyre, t’i hapim rrugën investimeve të mëdha dhe bumit ekonomik në atë pjesë të trasesë së miratuar e cila po synohet të anashkalohet qëllimshëm, hapi i parë është anulimi i propozimit për devijimin e trasesë nëpër Malishevë. Përfitimet e mëdha ekonomike nga traseja e miratuar nëpër komunën e Lipjanit, janë të planifikuara, të matshme dhe vetëm presin ekzekutimet. Në trasenë e re të propozuar, nuk ka asgjë të re të planifikuar nga biznesi.

     Rekomandimi i parafundit, të iniciohet një hetim i gjithanshëm për jo transparencën dhe dyshimet serioze për korrupsion në çështjen e autostradës Vermicë - Merdare, duke filluar nga pagesat e mëdha ose shpërlarjet e parave në emër të “konsulentës” firmave të huaja, e deri te synimet dhe vendimet absurde të Qeverisë dhe MTPT’së për dhënien e çdo kompetence kompanisë ndërtuese të autostradës, nxitjen e saj për të propozuar devijimin e autostradës kah Malisheva, e shumë të tjera. Shoqëria civile dhe secili segment i arsyeshëm i Kosovës, duhet të ngrihen o tani o kurrë në mbrotjen e arsyeshmërisë, sepse është në pyetje një projekt shumë i madh, që do të ndikoj në secilin për shumë vite me radhë.

 

© Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA).

Prishtinë, 08.02. 2010

 

P.S: “Ky studim është një draft  dhe si i tillë mund të pësoj korrigjime dhe të zgjerohet nga instituti. Prandaj, të gjitha pyetjet, komentet, vërejtjet, sygjerimet dhe propozimet mund të dërgohen në adresën elektronike: instituti.inepra@gmail.com”.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet ribotimi dhe kopjimi pa lejen e Botuesit (www.pashtriku.org) dhe autorit (INEPRA). Ndalohet edhe përkthimi në gjuhët tjera pa lejen e INEPRA’s.

 

 

 

 

powered by Beepworld