Me rastin e përvjetorit të shtatë të vdekjes

së shkrimtarit… Bedri Dedja -  13 prill 2004

 

 

PERLA TË PABOTUARA:

 

PJESË TË SHKËPUTURA NGA „DITARI I BABËS”

(BEDRI DEDJA)

( SHËNIME, PËRSHTYPJE, VROJTIME )

 

    

 

     Duke “gërmuar” këto ditë në arkivin e tij të pasur,  papritur ndesha në tre fletore të zverdhura por të ruajtura me kujdes. Në faqen e parë të sejcilës prej tyre, me një shkrim të bukur, të qartë e me gërma të mëdha, lexova:  “Ditari i Babës”…. Sot kam dëshirë që disa fragmente të këtij ditari, kësaj dëshmie të rrallë dashurie prindërore (që mund të quhet pa frikë edhe një traktat shkencor e pedagogjik mbi artin e të rriturit të fëmijës si dhe një guidë e pazëvëndësueshme për të gjithë prindërit e rinj), ta bëj të njohur e ta ndaj me miqt’ e mi si edhe me lexuesit që do të marrin në duar librin e kujtimeve, botuar me rastin e 80 vjetorit, për ta ilustruar edhe këtë pjesë, ndoshta të panjohur të personalitetit të tij. Nëpërmjet këtyre rreshtave, gjithkush mund ta kuptojë se sa fatlume kam qënë të isha bija e këtij babai dhe nga ana tjetër, se sa të vështirë e kam tashmë të jem larg Tij…

 

Edlira Dedja

Zvicër, shtator 2010

 

 

ﺹ ﺹ ﺹ

 

     27/01/61

     Sonte, në ora 9.30 të darkës lindi Edlira, çupa dhe fëmija ime e parë dhe e shumëpritur, bukuroshja e babit.

 

     3/02/61

     Shtëpia duhet pregatitur për festën e madhe. Babaj po punon. Për ty dhe për mamin ai u detyrua të mësojë shumë zanate: të bëhet zdrukthëtar, bojaxhi, sobaxhi, xhamaxhi… Shtëpia shkëlqen. Babi është shumë i lumtur! Tani një dëshirë: këtë ditar babaj e shkruan për ty, Edlira! Ti mund ta lexosh kur të rritesh dhe ti ruan të drejtat e autorit në emër të babajt tënd. Në rast se ky ditar ka qoftë dhe një gram «balsam» për prindërit e cfilitur nga dëshira për t’i edukuar denjësisht fëmijët e vet, jepe ta lexojnë… Ky ditar ka dhe një dosje me një tubë letra të shkruara. Aty përshkruhet parahistoria e jote, ceremonia, jehona e gëzimit…Kjo tubë letrash mbetet prona e  jote personale, e trashëguar nga prindërit. Ne, babi dhe mami yt, kemi dhënë kontributin tonë modest që përveç konceptit « trashëgimi në para, në pasuri të tundshme e të patundshme të prindërve për bijtë e tyre » të të lëmë nga pas një pasuri tjetër. Dashurinë për vëndin dhe popullin tone të mrekullueshëm, përpjekjet tona për lulëzimin e tij. Në këtë kuptim, ne jemi pasanikët më të mëdhenj e më të lumtur në botë. Në rast se ne do të arrijmë të ta lemë ty këtë trashëgim denjësisht, do të jemi prindërit më fatbardhë…

 

 

     9/02/61

     Mami më shkruan (nga materniteti, shënimi im E.D.) se ngandonjëherë, pasi pi gji, ty të shkon buza vesh më vesh…Babi yt në të njëjtën kohë lexonte leksionet e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, prandaj atij i pëlqente të shprehej me terma psikologjike : Edlira, që javën e parë ka filluar të jetojë çastet e emocioneve të kënaqësisë.

 

     11/02/61

     Edlira në shtëpi! Babit po i vjen festja vërdallë…Prindërit shpeshherë e kujtojnë lindjen e fëmisë vetëm si një bukuri të rrallë romantike… Telashet dhe shqetësimet që të sjell fëmija nuk mund t’i përfytyroka para kohe as imagjinata e shkrimtarit që ka shkruar përralla nga më fantastiket… Përgjegjësia për rritjen dhe edukimin e mirë të fëmisë është më e rëndë se përgjegjësia e ministrit!

 

     12/02/61

     Pavllovi, në teorinë e vet mbi veprimtarinë e lartë nervore, bën fjalë mbi «pikat dezhurne» ose «pikat roje» që krijohen në koren e trurit të nënës pas lindjes së fëmisë. Po e shpjegoj: bubullimat dhe të shtënat e topave nëna mund të mos i dëgjojë në gjumë, kurse rënkimin, sado të vogël të të porsalindurit, e dëgjon dhe zgjohet menjëherë. Ky fenomen ngjet në sajë të pikave roje të kores, të cilat gjatë kohës së gjumit mbeten të nxitura. U mora pak me teori për të bërë një thirrje: Baballarë! Mjaft keni kthyer kurrizin! Mjat keni fjetur! Mjaft keni emigruar me jorgan në kurriz dhe jastëk në dorë nëpër dhomat e tjera, për t’i shpëtuar emisioneve të „ muzikës së pakërkuar“! Nëna është një heroinë, po një heroinë shumë delikate, e cila në çdo moment ka nevojë për heroin me fizik më të  fortë, por jo për dezertorin. Unë votoj për kërkesën që „pikat roje“ të Pavllovit të krijohen edhe në koren tonë mashkullore e „aq delikate“ të trurit!

     …………………

 

     17/02/61

     Kam filluar të hekuros rregullisht pelenat e çupës. Çudi! Përpara unë përtoja të hekurosja edhe pantallonat e mija! Më duket se kështu sigurohet më mirë lumturia e fëmijëve tanë të sotëm. Kjo lumturi do të jetë aq më e madhe dhe më e sigurt, sa më shumë të shtohet numri i baballarëve që hekurosin me gjithë qejf pelenat e fëmijëve të tyre të porsalindur. Lumturia e njeriut sigurohet, sipas mëndjes sime, nga faktorë dy farësh: objektivë dhe subjektivë. Të parët janë vendimtarë. Këtu hyn jetesa materiale, puna, ambjenti, familja, rrethi shoqëror, sukseset, etj. Në të dytët hyjnë karakteri, cilësitë morale, humori, zakonet, etj. Të dy farët e faktorëve nuk duhen nënvleftësuar. P.sh. njeriut, objetivisht mund t’i sigurohet lumturia, por ai nga natyra dhe karakteri është egoist dhe nuk kënaqet kurrë. Pra, si qëndron puna? Fëmijëve tanë lumturinë objektivisht ja siguron në rradhë të parë familja. Këtu loz rol edhe unë që hekuros pelenat e çupës, lot rol edhe nëna që nuk po kursen shëndetin dhe gjumin për fëminë. Ndërsa subjektivisht, lumturia sigurohet nga edukata e mirë. Prindër të shtrenjtë! Në rast se doni që fëmijët tuaj të jenë të lumtur, i edukoni ata me durim, me urtësi, me këmbëngulje! Fëmijët egoistë, kapadainj, frikacakë, nevrikë, sentimentalë, që arrijnë moshën e pjekurisë me këto vese, do ta kenë zor ta arrijnë lumturinë në shoqërinë e së ardhmes.

 

     20/02/61

     Regjimi për fëminë e porsalindur është themeli prej beton-armeje i asaj ndërtese që quhet edukatë dhe disiplinë. Shpeshherë nuk është e lehtë t’ia vendosësh fëmisë regjimin. Edlira qan. Arsyen e vajit ajo ta shpjegon vetëm me vajin e saj. Ec e kuptoje këtë gjuhë, e cila me një melodi dhe me një rrokje shpreh gjithçka! Në këto çaste lind rreziku për ta prishur regjimin e të pirit. Kam lexuar librin e një nëne amerikane. Ajo këshillon që regjimi të mos ndiqet me saktësi të verbër (d.m.th. në ora tre, ose bjer e vdis) e as me liberalizëm të tepruar.

 

 

     22/02/61

     Detyra e prindit është që të studjojë me vëmëndje psikologjinë, pedagogjinë dhe mjeksinë,  për të rritur fëminë si duhet. Por kurrë nuk duhet injoruar dhe urtësia popullore. Disa thonë p.sh., «mos i mësoni fëmijët me të tundur ! ». Sigurisht, mos i tundni fëmijët si të çmëndur, sepse kjo i trullos ata dhe dëmton organet e tyre ende të pastabilizuara, ende në zhvillim e sipër. Edlirën ne e tundim lehtë, kur nuk e merr gjumi. Të tundurit është një ngacmues lëvizor monoton. Ky ngacmues monoton të vë në gjumë, sipas teorisë së Pavllovit. Nënat me përvojë thonë se fëmisë i duhet dhënë pak kamomil. Mjekët të ndalojnë kategorikisht. Këtu ka një kontradiktë. Kontradiktore janë edhe pasojat e kamomilit: disa thonë se ai të qetëson por edhe të jep bark, kur teprohet në të përdorur. Por mund të ketë edhe pasoja të tjera. Atëhere pra, çdo gjë me masë, në kohën e duhur dhe gjer në çastin kur pushon të bëjë efekt pozotiv… Prindërit duhet të bëhen vetë mjekë të fëmijëve të tyre (nuk kam aspak dëshirë të mohoj rolin e pediatrit, por edhe nuk dua, nga ana tjetër, që prindërit të mbeten „injorantë“ dhe për çdo puçër të vrapojnë si të çmëndur e me flokë pa krehur te mjeku). E vërteta mbetet e vërtetë: këshillat që të japin të tjerët për rritjen e fëmisë janë të kundërta e shpesh nuk përputhen me njëra-tjetrën; njëri thotë „e bardhë“ e tjetri thotë „e zezë“… Mos të harrojmë edhe një detaj shumë interesant: njerëzimi ekziston prej qindra mijëra vjetësh; miliarda e qindra miliarda  fëmijë janë rritur në gjithë botën e megjithatë, nuk ka ende një „Kanun të patundshëm mbi rritjen e fëmijëve“, ku çdo këshillë të ketë saktësinë dhe vërtetësinë e formulës matematike. Pra, njerëzimi që po fluturon në kozmos, do ta kishte shkruar edhe një kanun të tillë, po të ishte kjo një punë relativisht e re. Foshnja e porsalindur është një personalitet me organizëm dhe veti individuale. Ja sepse për rritjen e saj nuk duhet zbatuar vetëm ajo që është e përgjithshme në përvojën e njerëzve, por edhe ajo përvojë individuale që grumbullojnë prindërit që nga momenti i lindjes së fëmijës. Ja sepse unë mendoj që prindërit duhet të bëhen mjekë të durueshëm të fëmijëve të tyre…

 

     26/02/61

     Nesër Edlira mbush muajin. Unë, me kënaqësi vërej se si në ditët e fundit të muajit të parë të jetës ajo ka filluar të jetojë edhe me ndjenja : nëna e përgëzon dhe ajo qesh e kënaqet. Sa interesante! Që tani, ajo nuk jeton vetëm me emocione por edhe me ndjenja njerëzore! Këtu fillojnë të lidhen nyjet e saj të mardhënieve me njerëzit që e rrethojnë… Sot vura re që Edlira nuk di vetëm të qajë, por edhe të nxjerrë zë në çaste ekstaze foshnjore. Shenjë e mirë: kordat e zërit janë në rregull… Në muajin e parë vë re formimin e refleksit «për tu ngritur“. Sapo e ëma i vë një dorë ne gjoks dhe tjetrën në shpatullën e djathtë, Edlira i jep trupit përpjetë…

     …………………………

 

     8/03/61

     Pandora për herë të parë i bëri banjo çupës me duart e saj të emocionuara pa masë. Gëzimi ynë arriti kulmin. Ky gëzim ish i pastër, si ujët e kulluar në burim. Nga ky gëzim unë nuk prisja, por doja të dilja sa më parë për të ndezur një cigare… Sa emocione përjetoka nëna e varfër për të fituar, si të thuash, shprehitë e thjeshta për ta larë e për ta veshur foshnjën e vogël. Është edhe kjo një shkollë e rëndë me «provime» të tmershme, të cilat mund t’i kalosh vetëm duke u bërë ujë në djersë të ftohta…

 

     *  *  *

     Një ditë Pandora vërejti:

     -  A e di?

     Sa herë që e vështroj çupën për një kohë të gjatë e me vëmëndje, bindem se më ngjet e tëra mua… Unë buzëqesha dhe i thashë se në një konkluzion të tillë kam aritur edhe unë, kur e kam vështruar gjatë dhe me vëmëndje, por veç në konkluzion të kundërt…sikur më ngjet e tëra mua!

 

     15/03/61

     Ngjarje shumë e shënuar:

     Pardje, të henën, Lirka nisi nga gugat:

     «ëëëëë», «gë-gë»… Babi-psikolog, për siguri, konsultohet edhe një herë me literaturën e zanatit… Shënjat janë të mira. Zakonisht, fëmijët i fillojnë «gugat» nga muaji i dytë. Lirka e jonë i nisi pasi mbushi gjashtë javë, në javën e shtatë… Dje dhe sot ja kam dëgjuar më pak zërin. Më pëlqen shumë kur më vështron e përqëndruar Unë e përkëdhel, ajo buzëqesh. Syve të saj në këto çaste i çfaqet një hijeshi e rrallë. Bukur, shumë bukur buzëqesh Edlira!

     ……………………………

 

     18/03/61

     Lirka fle rehat në ajër të pastër. Kënaqet kur ne e çojmë në park. Çudi se sa shumë nisi të stabilizohej gjumi fill pas shëtitjeve të para. Mua dhe nënës na duket se pas kësaj, çupës filloi t’i ndërrohet edhe çereja : një ngjyrë e hollë trëndafilije nisi t’i çfaqej në mollëzat e faqeve… Sot, për herë të parë, Lirka kaloi në gjumë me karrocë sheshin « Skënderbeg » të Tiranës deri te Materniteti. Nënës i ka rënë një taksirat shumë i madh: iu sëmur gjiu i djathtë nga një çiban. Ah, nëna… nëna! Vuajtjet e saj mua më bëjnë ta admiroj, ashtu si të vjetrit admironin perëndeshat. Nëna është një çelik me zemër të madhe njeriu. Për sakrificat që duhen bërë për fëmijët ne, baballarët, duhet t’i kemi ato si mësueset tona më të shtrenjta. Ja, skena që nuk do të më shlyhet kurrë nga mëndja: Nëna vuan nga dhimbja e tmershme e gjirit. Plaga në vetvete është tragjedi ndijimesh dhimbjeje. Megjithatë, gjiri i duhet dhenë fëmijës që të mos bllokohet qumështi, pasi kjo mund te sjellë një rrezik e një komplikacion edhe më të madh. Çibani ka majisur thimthin dhe i ka ngushtuar shumë kanalet e tij. Fëmija grindet, sepse nuk kënaqet. Qan dhe nduk thimthin. Nënës i trefishohen dhimbjet : çibani, të ndukurit, rreziku i bllokimit të qumështit, ulurimat e fëmisë…Megjithatë, ajo i jep të voglës; lotët i lajnë fytyrën, i qullin rrobat fëmijës, dhëmbët kafshojnë buzët… durimi është shumë i madh. E ku ka durim guri, sa nëna!... Unë rri dhe e vështroj këtë skenë dhe më rrenqethet trupi! Dua të iki larg ulurimave e lotëve… Po ndalem me zor, se ndryshe dal burracak. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjë babaj në këto momente të llatarshme. Se mund të bëjë më shumë, nuk besoj. Nëna vuan të vetën dhe babaj të vetën. Kjo është, pa dyshim, shprehje e padrejtësisë së pamëshirshme dhe të pandreqshme të natyrës! Qëndro, baba, qëndro! Kjo nuk të kushton aqë shumë! Kurse për nënën, kur i rri pranë, ti je kurajo e gjallë.

     ………………………………

     Sa ditë do të vazhdojë kjo?

 

     20/03/61

     Ah, ju shqetësime prindërish! Mund t’u përshruaj vetëm duke e ngjyer pendën në lotët që rrjedhin, në hidhërime që të përvëlojnë, në gjak të plagëve të nënës… Po kjo është e pamundur, prandaj është i vështirë edhe përshkrimi. Lirka bën banjon e mbrëmjes, pi dhe bien në gjumë shqerrash… Ne psherëtijmë thellë dhe me gëzim… Kaloi dhe një ditë. Sa mirë! Sa mrekulli! Lirka është mirë, po rritet…

     ………………………………

 

     21/03/61

Më duket se kanë filluar të çfaqen shënjat e para të njohjes (kujtesës). Unë i afrohem mbi shtrat Edlirës duke buzëqeshur. Për disa çaste ajo më ndjek me një vështrim serjoz, pastaj, shpejt nis e më përgjigjet po me buzëqeshje.  Nuk u shpejtova ta bëj këtë shënim, duke u nisur nga rasti i parë. Kam gati afro dy javë që e përsëris këtë kënaqësi nga dy-tre herë në ditë.

     …………………………………

 

     27/03/61

     Mbushi dy muaj Edlirka jonë e dashur!

     Unë dhe mami kishim vendosur të pinim dy shishe birrë me këtë rast, po shpejt u kujtuam se krijimi i një tradite të tillë është i rrezikshëm… Në moshën dymbëdhjetë muajshe ne duhet të bëheshim tapë dhe të frynim barkun me nga dymbëdhjetë shishe birrë… Dy muaj përvojë gëzimesh e shqetësimi! Nga njëra anë unë dëgjoj me admirim se si ajo ka tre ditë qe prodhon kombinime shumë interesante tingujsh, të cilët dalin shumë rrallë…dhe që është e pamundur t’i imitosh me ndihmën e pendës. Nga ana tjetër, unë shqetësohem, se ajo grindet e qan lehtë, si ndonjë çupëz e vogël dhe unë nuk e ndihmoj dot… Dy muaj janë të mjaftueshëm për një traktat të shkurtër vrojtimesh psikologjike! Ja, p.sh., disa çfaqje interesante: Lirka, që para disa ditësh ishte në gjëndje të ndiqte me vëmëndje, për dy-tri minuta (e mos më shumë) përplasjet e gishtave të mija si kastanjeta, të cilat lëviznin herë majtas e herë djathtas, duke e detyruar edhe atë të kthejë kokën. Ky nuk është një fenomen i thjeshtë i vëmëndjes së pavullnetshme! Tingujt e fortë, ma merr mëndja, shkaktojnë çfaqjen e sintomave të një vëmëndjeje më të organizuar… Ajo tani të ndjek me sy. Këto janë çfaqjet e para të perceptimit primitiv (të pazhvilluar), thjeshtë pamor. Kthen kokën, kur e thërret nga tre-katër metra largësi… Kur i rri pranë dhe ajo më vështron në sy, nuk mund ta marr gazetën për ta lexuar. Lirka, ose do të grindet, ose do të fillojë të qajë. Duhet ta shikosh patjetër në sy… …Një refleks të kushtëzuar interesant vërejta dje për here të pare. Këtë refleks do ta quaja “refleksi i lemzës”që shkakton lëvizje thithëse të buzëve. Që pas lindjes, gruas i kishin thënë që ta vërë foshnjen në gji sa here e zë lemza. Dhe ajo kështu vepronte, sepse me të vërtetë, në një moshë të tillë, foshnja trëmbet shumë nga lemza. Ky është një fenomen i natyrshëm që lidhet me zhvillimin e veprimtarisë së zemrës tek fëmija. Tamam dje, kur gruaja u nis në punë, Lirkën e zuri lemza. Menjëherë dhe automatikisht, çupëza filloi të kryej lëvizje thithëse të buzëve, duke futur palën e çarçafit në gojë… Thoni pastaj, se sistemi nervor nuk është aparat i mrekullueshëm, ku lidhjet nervore përbëjnë bazën e zgjuarsisë njerëzore! …Teorikisht është shumë lehtë të thuash që foshnja duhet të flejë aq e kaq… Praktikisht, kjo nuk është gjithnjë e mundshme. Fëmija ka nevojë edhe për përkëdheli, edhe për t’u mbajtur në krahë e për të komunikuar me botën që ka përreth. Nuk duhet mërzitur, në qoftë se femija “teorikisht” nuk e bën gjumun e plotë. Ai krijon “teorinë” e vet në lidhje me këtë problem… … Që në muajin e dytë, tek fëmija mund të vësh re një mimikë të pasur… Dhe në fund, një mendim: Të gjithë u trëmben përkëdheljeve të shumta. Thonë, se fëmija nuk duhet mësuar kështu që në moshë të vogël. Kjo këshillë duhet pranuar me reserve. Gjykoni vetë! Fëmija është zgjuar. Nuk ka dyshim se s’është mire, në rast se ai mësohet që të kërkojë patjetër njeri pranë. Po në rast se ju jeni të lire e mund të lozni me të, mos u kurseni! Fëmisë do t’i ngrihet humori, do t’i qeshet nuri. Sa më shumë kohë të kalojë ai me këtë humor të mirë, aq më mirë është. Fëmija ka nevojë jo vetëm për shëndet fizik, por edhe për një « shëndet të mirë psiqik ». Baza e këtij shëndeti në këtë moshë është humori i mirë. Këtë humor mund t’ja krijojnë të voglit prindërit.

 

     6/04/61

     Kryevepra e  ime është  Edlira!

     Më kanë vizituar shumë miq e shokë me rastin e lindjes së Edlirës. Edhe unë nuk mendoja se do të vinin aqë shumë. Sot erdhi posaçërisht nga Shkodra plaku i mirë e zemërbardhë, shkrimtari Teufik Gjyli. Ai i do shumë fëmijët, me një dashuri të rrallë e të çuditshme… Ndoshta, për arsyen sepse vajzën e vet të vetme mundi ta marrë në shtëpi vetëm pas nëntë vjetësh… Kjo është një histori shumë e dhimshme… Teufikut i përket edhe ideja për fjalët që kam shkruar në krye të kësaj faqeje…

 

     11/04/61

     Shënime për duart e Edlirës. Ky është një fenomen interesant.

     Shkencëtarët psikologë kanë të drejtë kur thonë se, nga lëvizjet e foshnjes, mund të kuptosh shumë mbi zhvillimin e saj psikologjik. Pra, mos është ky një proces që duhet patur në qëndër të vëmëndjes gjatë muajit të tretë dhe të katërt? Dy muajt e parë, Lirka i mbajti duart të mbledhura grusht. Përpjekjet e para për t’i hapur i bëri aty nga fillimi i muajit të tretë. Gjatë dy javëve, mund të vije ré se si duart, herë hapeshin përgjysëm e herë mbylleshin. Në këtë kohë, unë i lidha përpara, në mes të dy anëve të krevatit, një varg me topa ngjyra-ngjyra, nga ata që prodhojnë zhurma. Në mënyrë të pavetëdijshme, filloi kontakti i duarve me këto topa. Lirka nisi „t’i detyrojë“ topat të lëvizin. Ka patur raste, që ajo është marrë me këtë punë në mënyrë të pandërgjegjshme edhe gjatë një ore e gjysëm. Kështu nisi përsosuria e ndijimeve të të prekurit. Provova t’ja mbaj vargun e këtyre topave pingul, para duarve dhe fytyrës. Ajo e vërente, po me duar nuk i zinte. Kuptohet, që në këtë moshë, fëmija ende nuk e ka aftësinë për të drejtuar lëvizjet e duarve, megjithëse i çfaq përpjekjet për të kapur. Lirka tani është dy muaj e gjysëm. Vë ré, që herë pas here bën përpjekje për t’u ngritur dhe hidhet me forcë, po t’i vësh duart në shpatulla. Edhe ky është një refleks që ka si sinjal ndijimet pamore dhe të prekurit. Si probleme të edukatës, edhe në muajin e tretë mbeten kryesisht dy: regjimi, si mjet disiplinimi i të gjitha funksioneve jetike dhe përpjekja për ta mësuar foshnjen që të rrijë vetëm kur është zgjuar. Këto dy kërkesa duhen respektuar me rigorzitet, mbasi në këtë moshë, “edukata” që merr fëmija (në dy drejtimet e lartpërmënduar), ngjet me qelqin e hollë, që mud të thyhet shumë shpejt.

 

     12/04/61

     I vura Lirkës përpara syve kopertinën e “Fatosit” N°4 (prill 1961), të vizatuar nga Safo Marko: një sfond i gjelbër, dy kalamaj me kostume kombëtare, të vizatuara me ngjyra të forta… Për çudinë time, sapo i vështroi, buzëqeshi! Kur ja largova revistën, filloi ta kërkojë me sy serjozë. Ia tregova për së dyti dhe përsëri nisi ta shohë me kënaqësi… T’i ketë lindur, vallë, interesi për ngjyrat e forta?! Të jenë shfaqur, vallë, ndijimet e padiferencuara të ngjyrave?! Kam vërejtur edhe disa ditë më parë, që Lirkën e tërheq shumë sixhadeja e bukur e dhomës sonë…

     …………………..

 

     16/05/61

     Babi ka filluar të neglizhojë… Autokritikë me vënd! Të shohim tani e tutje, si do ta mbajë ditarin… Faktet kanë qënë interesante: Më 8 maj, Lirushka bëri fotografitë e para. Ky ishte një eveniment me rëndësi të madhe familjare… Fëmijët tanë nuk do të ankohen për ne, siç jemi ankuar ne për prindërit tanë… Sa më shumë fotografi të moshës së vogël! Këto fotografi janë një dëshmi e kujdesit të prindërve, një material që të sjell kënaqësi të pakrahasueshme pas dhjetra vitesh…

     ……………………

 

     26/05/61

     Ka dy-tre ditë që Lirka ka nisur „të këndojë“ në mënyrë mahnitëse gugat e saj. Zgjohet në mëngjes dhe ashtu siç është, e mbuluar me tyl në krevatin e saj, nis të cicërojë si kanarinë. Tingujt burojnë të ëmbël, si vokalica këngëtari…

     …………………

 

     27/07/61

     Sot Lirka mbushi gjashtë muaj! M’u bëfsh plakë me nipa e stërnipa, bija e babit!

     Ne kishim bërë ndërmënd të dilnim në fotografi të bukur, por ti mbrëmë e sot ke qënë e je pak e sëmurë… Je ftohur, me rrufë e kollë e  mezi qëndron e qetë. Dhe unë nuk kam mundësi të shkruaj me qejf… Më vjen shumë keq që kjo ngjet tamam sot, kur unë duhej të përmblidhja gati shënimet e dy muajve (muajit të pestë e të gjashtë). Me sytë e prindit, këto dy muaj të jetës së foshnjës janë një poemë e vërtetë, me pathos të pakrahasueshëm, me poezi të kristaltë…

     Ja, p.sh. tingujt e rrokjet: gjatë muajit të pestë e të gjashtë, në të folur, Lirka ka patur momentet e veta të „frymëzimit“(procesi ka vazhduar me hope, me „të tekur“); janë dëgjuar rastësisht: be, ba, e-mem, te-te-f, pa-pa. Një natë, gati një çerek ore me rradhë kemi dëgjuar vetëm këtë muzikë:

                    e-e  va - va  bdu,  ptu

                    e-e  va - va  bdu,  ptu

     …………………………………

     (kjo ka ngjarë gjatë muajit të pestë).

     Në fillim të muajit të gjashtë, për 20-30 sekonda mund të dëgjoje:

     e-mem, e-mem.

     Në fund të muajit të gjashtë përsërit vazhdimisht dhe më shpesh:

     ba-ba-ba-ba (për disa sekonda), ba-be (rastësisht dhe vetëm një herë).

     Sot unë ndjeva për herë të parë muhabet « arapçe » nga Edlira (për një kohë të gjatë,

     10-15 minuta): blë - ba - bul - da - vël - p- bël ; të gjitha këto kombinime tingujsh

     shoqëroheshin me shumë jargë dhe kishin nuanca ankimi e shqetësimi prej sëmundjes…

 

     *  *  *

     Ja një seri faktesh interesante që flasin për zhvillimin normal, veçanërisht psikologjik: Që nga fillimi i muajit të pestë, kur unë e mbaja në krahë pranë dritares, Lirka ndiqte me sy objektet e mëdha që lëviznin (makina, motorrçikleta, njerëz). Po veç arrinte t’i ndiqte deri në fund, pa e shkëputur vështrimin, vetëm njerëzit që ecnin ngadalë… Sapo hyri në muajin e pestë, u vu re përpjekja për t’u kthyer anash. Gjatë muajit të pestë dhe të gjashtë, Lirka arritit të kthehet lirisht vetë, edhe përmbys. Po ta lësh të lirë në krevatin e madh, ajo menjëherë dhe me gëzim rrotullohet… Ka kohë që ka filluar ta kthejë kokën kur e thërret në emër. Një e njohura e jonë e thirri para një jave „Edi“. Edlira as nuk lëvizi nga vëndi. Mikesha «u ofendua» për këtë «mungesë respekti». Unë menjëherë ndërhyra për të vënë në vënd «nderin» e çupës sime…  

     E thirra «Edlira, Lirushka» dhe ajo, menjëherë ktheu kokën dhe buzëqeshi…

     E pse çupa lejoi që të «ofendohet» mikesha?

     Sespse ajo nuk ish mësuar ta thërrisnin “Edi”…

     (vazhdon)

     Sonte nuk mund të shkruaj më…

     Edlira na tmerroi; vodhi tërë ushqimin, siç ish e shtrirë në krevat dhe desh u mbyt… E ndjej vehten shumë keq, kur i shkruaj këto rradhë… Edlira e sëmurë (pa temperaturë) e ne me shumë temperaturë, por jo të sëmurë…

 

     29/08/61

     Mbrëmë, gjumi qe pak më i rehatshëm, po parmbrëmë u mallëngjyem shumë… Ngaqë hundët i kish të zëna, Lirkës i duhej të merrte frymë me gojë, po nuk ish mësuar, prandaj dhe zgjohej gati çdo gjysëm ore e llahtarisur. Por çasti më rënqethës arriti atëhere, kur ajo me ankim dhe një ton lutës filloi të thotë:

     -  a - ma - ma-ma-ma, b-a-ba-ma-ma-a…

     Të krijohej përshtypja se kishim të bënim me një foshnje të rritur që kërkonte ndihmë nga nëna dhe babaj…

     …………………………

 

     *  *  * 

     Nuk mund të rri pa shënuar shkurt edhe disa mbresa të tjera që  më kanë lënë muaji i pestë dhe i gjashtë: Gjatë qershorit, kur e mbaja në krahë nëpër dhomë, vija re tek ajo një shqetësim dhe lëvizje shumë të shpeshta duarsh, që të jepnin të kuptoje se Lirka kërkonte me ngulm të rrinte pranë dritares së hapur. Kur unë i afrohesha dritares, ajo qetësohej dhe buzëqeshte… Interesant është se, që dymuajshe, asaj i ka pëlqyer shumë të sodisë pemët. Kështu, i vërente me minuta edhe nga dritarja… Kur frynte erë dhe gjethet shushurinin, zgjonin tek ajo emocione të thella gëzimi, që zakonisht shoqëroheshin me tinguj…

 

     *  *  *

     Muaji i gjashtë më është dukur si muaji i zhvillimit të dukshëm të refleksit „ Çpo ngjet?“ (orientimit). Kur Lirka pinte gji, kthente kokën menjëherë, po të dëgjonte edhe zhurmën më të vogël… Kjo është shënjë zgjuarsie…

      …………………………..

 

     Hymn në prozë për Edlirën

     Nuk mund të rri pa thënë, çupë e babit, se ti ke qënë një foshnje shumë e urtë! Kanë kaluar gjashtë muaj dhe ti asnjëherë, përveç natës së 27 korrikut, nuk e ke trazuar gjumin e babit! Ke patur dhe ke një urtësi fenomenale! Unë jam i bindur që kur të rritesh, ti do të jesh krenare për këtë veti, ashtu siç jam edhe unë krenar para baballarëve që vinë në mëngjes në punë me sy të buavitur…

     …………………………..

 

     Kjo ndodhi para tre ditësh… 

Gjatë korrikut, unë kam qënë me leje në shtëpi. Këtë muaj, ne i bartëm krevatet dhe dyshekët në dhomën më të freskët, e cila ka një derë me pjesën e sipërme prej xhami… Nga ky xham, ne komunikonim shpesh me shënja e buzëqeshje me Edlirën… Një ditë, unë kisha punë dhe nuk u duka fare në shtëpi. Nëna më tregonte… «... E vura në gji; nuk ishte e qetë…gati çdo 30 sekonda shkëputej nga gjiri dhe hidhte vështrimin te xhami, buzëqeshte dhe përsëri thithte. Kur u lodh dhe kur u bind, se « ky babi i keq nuk paska ndërmënd të duket», u kthye prapë te gjiu, piu mirë e mirë, pa u shkëputur dhe fjeti…

(vazhdon)

 

     8.08.61

     Dua të shkruaj disa fjalë për nënën.  

     Unë, si baba, përpiqem shumë të lehtësoj punën e nënës, por gjithnjë bindem më shumë e më shumë se shpesh, jo vetëm nuk mund ta zëvëndësoj nënën, po as ta lehtësoj… Nëna është gjithçka për foshnjen… Ajo, që në lindje (në mënyrë të natyrshme) çfaqet në këtë botë e diplomuar si rritëse, kujdestare dhe edukatore e fëmisë. Ky është një fakt i pamohueshëm. Në diskutim mund të vihet vetëm problemi se sa perfekte është nëna në kryerjen e këtyre funksioneve. Kjo, pastaj, është çështje ndërgjegjeje, prirjeje, përvoje, kulture, etj. Ti, Lirka, ke një nënë shumë të mirë!  Unë e ndjek me admirim kujdesin e saj ndaj teje! Ndërsa unë loz me gjithë qejf rolin e një «hamalli të papërtueshën» nën urdhërat e tua dhe të nënës tënde!

     …………………………

 

     Evenimente që duhen shënuar :

     Që në tre muaj, Lirka përqëndrohej ndër piktura e portrete me vështrimin e saj. Tani ajo hidhet me gëzim, duke shqiptuar tinguj entuziazmi kur qëndron para tyre… Portretin e Migjenit, ashtu si pa qëllim, unë gjithnjë ia kisha shoqëruar me fjalët «Xaxi Mixeni»… Pardje më erdhi në vizitë një shok me gruan e tij dhe djalin tre vjeç e gjysëm. Të dy ata janë mësues letërsie në gjimnaz. I vogli i tyre u përgjigjej kështu pyetjeve të babajt :

     -  Kush është Naim Frashëri?

     -  Naim Frashëri është poeti rilindes komtare…

     -  Kush e vrau Lumumbën?

     -  Kacabubu me  Çomben …

     -  Kush e ka shkruar «Nënën»?

     -  Masim Goki…

     … Unë nuk pata qejf të mbetem prapa, prandaj edhe bëra një tentativë për të treguar „njohuritë letrare“ të çupës sime…

     -  Edlira! Ku xaxi Mixeni?

     Lirka, për çudinë time, nga prehëri i s’ëmës ktheu kokën djathtas dhe vështroi portretin e Migjenit. Fakti është me të vërtetë shumë poetik, mgjithëse nuk ka si bazë asgjë të jashtëzakonshme: një refleks me ngacmues të kushtëzuar, një sinjal të dytë të pakuptueshëm për Lirkën, që lidhet me të parit e një figure, tashmë të familiarizuar…

     ………………………………

 

     Para katër ditësh, dy ditë me rradhë u dëgjua nga Lirka vetëm kjo melodi:

     bab - bab - bab - bab  

     (gati gjithë ditën)

     ba - ba, ba - ba, ma - ma

     (të nesërmen).

     Pastaj heshtje dhe herë-herë « arapçe ». Heshtja vazhdon. Pritet hopi tjetër.

     ………………………………………

     «Hajde të ikim a-da-da-da» - i themi ne Lirkës, kur bëhemi gati për shëtitje…Dje pasdite kaloi ora e shëtitjes… Lirka, në shënjë proteste e me ton të sforcuar ia pat, pa pritur e pa kujtuar: «a - daa, da-da…»

     ……………………………………

     Pardje, me kënaqësi të madhe më grisi mua të parën gazetë. Po në mëngjesin e asaj dite, me një rrotullim në krevatin tonë, kish arritur « David Koperfildin » që lexonte nëna e që e kish lënë mbi jastëk dhe i kish « masakruar » edhe atij dy fletë…

 

     9/08/61

     Melodia e ditës së sotme :

     de - de - de - de - da 

     Është e pamundur që këto rrokje të mos kenë lidhje me faktin që unë Lirkën gjithnjë e kam thirrur :

     Edlira  Deeedjaaa…

     ………………………………

 

     18/08/61

     Lirka po bën shumë përparime, megjithëse kërkon një ose dy orë durim « derri », më falni për shprehjen, për ta ushqyer. Duroni shumë në këtë moshë, prindër të dashur, që të zgjidhni shumë nyje të koklavitura të problemit të ushqimit për gjithë jetën !

     …………………………

 

     3/09/61

     Supereveniment : Edlira qëndroi ndënjur për herë të parë në mënyrë të pavarur, më 19 gusht, në kandarin e tetos së kosultorit. Mamaja u bë gati për ta shtrirë, kurse ajo u kap me duar në të dy anët dhe u kapardis me kokën përpjetë.

     Mbi zhvillimin e ndijimeve dhe perceptimeve. –

     Gjatë muajit të shtatë kam vënë re këto dy fenomene. Një ditë ishim në bulevard, duke shëtitur me karocën e vockël. Papritur, vë re që Lirka drejton vështrimin në qiell e pastaj e lëviz atë në drejtim të ballit… Ngrej kokën lart dhe vështroj një laraskë, në një lartësi 30-40 metrash që fluturonte e që çupka e ime e ndiqte me sy… Një ditë tjetër, në një largësi ½ ose 1/3 e metrit, kur unë e mbaja në krahë, ajo ndiqte lëvizjet e një mize fluturake të zakonshme… Ka tre ditë që Edlira ka mësuar të rrahë shuplakat. E mësoi « teta » Lida. Ne e vështrojmë këtë element të arsyetuarit të saj me sy - teleskopë dhe e çmojmë jo më pak se heroizmin e Gagarinit apo Titovit.  

     I tillë është prindi! Nuk ke se ç’bën! Fëmija është çdo gjë për të…

 

     7/10/61

     Gjatë muajit të tetë kam vërejtur një farë zgjerimi të kuptuarit të fjalëve.

Në një shtëpi pranë, mbajnë pëllumba. Gjatë më se tre muajve, unë gjithnjë i kam tërhequr vëmëndjen Lirkës në drejtim të pëllumbave, duke i thënë: «Shihi pëllumbat!». Tani, sa herë që kalojmë pranë dhe unë pyes: «Ku janë pëllumbat?», ajo kthen kokën në drejtim të ballkonit për t’i parë.  I njëjti fenomen vihet re edhe kur them: «Ku është drita?» ose «shihe dritën», «shih makinën», «shih palaçon», etj. Sinjali i dytë, fjala, vepron tek ajo dhe i shkakton një veprim sensor, një refleks të sistemit të parë. … Në muajin e tetë vërehet edhe njohja, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ajo e njeh nënën në një largësi prej 20-25 metra dhe menjëherë lëshon një britmë gëzimi. … Para tre netësh u emocionova shumë. Ishim rënë në krevat dhe gati për të fjetur. Unë, gjithë ditën nuk e kisha parë Edlirën… Papritur, ajo hapi sytë, më dalloi, buzëqeshi; pastaj ngriti gjysmën e trupit, duke u kapur pas hekurave të krevatit të saj, qeshi me zë dhe u ul përsëri e mbylli sytë në gjumë… M’u duk sikur u qetësua që më pa… Zërat e muajit të tetë.

     Ta-ta, dër-dër (më shpesh), e-te-te, nan-nan, pa-pap, tet, edi-ded, ija-ija, eja.

     …………………….

 

     27/11/61

     Babi i yt është i keq, Edlira!

     Ka më shumë se një muaj që nuk e ka zënë ditarin me dorë! Gjithnjë arsyetohet, duke thënë se ka shumë punë…Fëmija! Sa barrë e rëndë! Sa shpatulla të fuqishme duhen për ta mbajtur këtë barrë! Që ta rritësh mirë fëminë, duhen energji kolosale fizike, urtësi mendore dhe një durim, barazi me plus infinit. Muaji i dhjetë: përpjekja për t’u ngritur në këmbë. Edlira do gjithnjë të rrijë në këmbë. E kemi provuar ta mbështesim në një kënd muri. Rri shumë mirë dhe bile përplas edhe duart. E mbajtur nën sqetulla hedh edhe çape për të ecur.

     Ndjenjat. - Një rast shumë interesant:  Kur kthehem nga puna, unë e kam bërë zakon t’i drejtohem përpara Edlirës, ta marr në krahë, ta puth e ta përgëzoj. Këtë e bëj rregullisht, çdo ditë. Tek fëmija, kjo shkakton lindjen e një dallge ndjenjash pozitive dhe humori të mirë. Pardje më ndodhi ndryshe. Në ora 14 u ktheva nga Kongresi i Rinisë; duhej të haja shpejt drekë, të bleja qumështin e Edlirës dhe në ora 15 të arrija në leksion. Pra, edhe kohë nuk pata po edhe harrova ta marr Lirushkën si përherë… Kur isha duke mbaruar së ngëni, vumë re se çupa filloi të grindej, të ankohej e të largohej nga e jëma. Nuk po e kuptonim shkakun, vetëm se vumë re se gjatë kësaj kohe ajo më vërente mua. Panda u kujtua se ajo «kish mall për babin» dhe me të vërtetë, sa m’a zgjati, m’u hodh në qafë me gëzim dhe nuk donte më t’i shkonte njeriu tjetër, bile as së jëmës kur e thërriste… Perceptimet. - I merr gjërat (lodrat, lugët, kutijat) në duar, i vëren, i rrotullon dhe pastaj i hedh në tokë. Ja japim përsëri në duar, përsëri i hedh. I pëlqen të prodhojë tinguj dhe zhurma…

     Kujtesa. - Ka gjetur një vrimë te muri pranë minderit dhe sa herë e vëmë aty, kujtohet për ta gërryer atë vrimë me gisht.

     Të folurit. - Kjo është një mrekulli e vërtetë! Në muajin e dhjetë, Edlira ka bërë shumë përparime. Unë mendoj se kjo ka ardhur nga përpjekja e jonë e arsyeshme…

Fëmisë, që në muajin e dytë duhet t’i flasësh; t’i flasësh seriozisht me gjuhë letrare dhe shqiptim të rregullt, pavarësisht se ai nuk kupton. Kjo ndihmon shumë për t’ia stërvitur veshin… Kështu kemi vepruar ne dhe prandaj, fjalët e para që ka mësuar Edlira i ka shqiptuar shumë mirë, si p.sh. «teta», «bab», «mam». Veç ky fenomen ecën kështu: në fillim vëren progres (për herë të parë fëmija shqipton p.sh. «teta» dhe këtë e përsërit një ditë, dy, tre, një javë), pastaj vjen një regres i përkohshëm (heshtje, fëmija nuk e shqipton fjalën, megjithë përpjekjet e tua). Në fund, progresi përsëritet dhe fëmija kalon më tutje në zhvillimin e të folurit.

     Në fund të muajit të dhjetë, Edlira ka patur këto çfaqje :

     - Sa herë e thërrasim në emër «Edlira», përgjigjet « ta » ose « teee ».

     - I themi «një, dy, tre», përgjigjet “teee”.

     Sot shqiptoi dy mrekullira:

     I thamë “sahati bën “tik-tak”, u përgjigj “tak-ti”. Në darkë e futa ne dhomën e gjumit (e cila ish e errët). Kur ndeza dritën, i thashë „driita“, u përgjigj pa pritur e pa kujtuar: „ditaaa“… Tani kupton fjalët „çou“, „ulu“, të mësuara me shoqërim veprimesh, „makina“, „sahati“, „luga“. Kur dëgjon këto fjalë, kërkon me sy objektet. Këtu duket qartë dhe të menduarit elementar. P.sh. sa herë ne e pyesim (qoftë edhe ditën), „ku është drita?“, ajo ngre syë e vështron llampën elektrike.

     ……………………………….

 

     3/12/61

     Kam harruar të shënoj një përshtypje të muajit të dhjetë:

     Edlira atë kohë nisi të copëtojë gazetat (t’i ndajë copa-copa). Po kështu, vepronte dhe vepron edhe tani, duke copëtuar bukën në thërmija ose fijen e trashë, në fije më të holla. Këtë punë e bën me kujdes të madh… Kemi këtu procesin e analizës primitive (sintomat e veprimeve mendore).

     ………………………….

 

     29/12/61

     Muaji i njëmbëdhjetë:

     1. Filloi dhe vazhdon me sukses përpjekja për të qëndruar në këmbë pa u mbështetur (për disa sekonda).

     Kjo më është dukur si një nga tendencat e këtij muaji.

     2. Mendoj se ky muaj duhet quajtur edhe muaji i çfaqjes së qartë të elementeve të arsyes (të menduarit) demostrative – vepruese. Edlira u përgjigjet me saktësi këtyre pyetjeve:

     - Ku është mami (te fotografia)?

     - Ku është telefoni?

     - Ku është çezma me ujë?

     - Ku është filxhani?

     - Ku është drita?

     - Ku është soba elektrike?

     Përgjigja:

     -  Ja… (dhe tregon me gisht).

     -  Grupi i dytë:

     -  Si bën macja?

     -  Mau, mau, mau…

     -  Si bën kali?

     -  Tkz - tkz… tkz… (tinguj të prodhuar me ndihmën e gjuhës).

     -  Si bën sahati?

     -  Tik - taa,  tik - taa…

     (Jam përpjekur t’i mësoj si bën lopa dhe qeni, po nuk i ka mësuar dot).

     Grupi i tretë: I bëj këto pyetje:

     - Ku është hunda e babit? (e tregon me gisht, duke e prekur).

    Keshtu tregon dhe syrin e gojën.

     - Ku janë flokët e babit?  

     Gëzohet shumë, i kap ato me të dyja duart dhe i tërheq me forcë…

     3. Para dy javësh, për çudi, vura re çfaqet e para të imagjinatës.

     I kisha blerë një kukull të vogël. Edlira kish një copë bukë në dorë. Pa pritur, ia afroi kukullës copën e bukës në gojë (dy herë me rradhë). Pastaj u kthye nga ana tjetër. Rastësisht gjeti një lugë kafeje, e mori, u kthye nga kukulla dhe i afroi bishtin te goja… Një hall i madh veç na gjeti këtë muaj… Edlirës iu ngjit kolla e bardhë. Telash i tmershëm për fëminë dhe për prindët…

     ………………………………..

 

     10/01/62

     Shënime pak të vonuara:

     Edlira u bë këngëtare. Ka nja dy javë, që kur i themi „këndo Edlira!“, fillon e prodhon melodi të „kompozuara“ vetë: „aàaaeeeaaaee…“ Më 5 janar e mora me karrocë në park për ta fotografuar. Në karrocë i vura tri lodra (një majmun, një elefant dhe një çun të vogël).  I thoshja: „Kape elefantin!“ (e kapte pikërisht atë), “Kape majmunin!” (vepronte gjithashtu pa gabuar). Po e njëjta gjë ndodhi edhe me çunin, të cilin ne e quajmë „bebi“. Në fillim, nuk m’u besua  për këtë diferencim kaq të përpiktë, po pastaj, kur e përsërita edhe një herë e dy, në prani të një dëshmitari (mamit), u detyrova të bindem.

    Fjalori pasiv i Edlirës (fjalët që ajo kupton) janë tani të shumta (mendoj rreth nja 30).

     Më 5 janar, ajo shqiptoi për herë të parë dhe fjalën „bebi“.  

     Ndërsa fjalori aktiv në ditën e sotme paraqitet si vijon:

     1)   teta (kështu është dhe shqiptimi),

     2)   baba

     3)   mama

     4)   di-ta (për drita)

     5)   be-bi (për çunin – kukull)

     6)   deda (ngandonjëherë “dedja”, mbiemri i saj),

     7)   mau (për “mjau”, siç bën macja),

     8)   ti(k) - ta (bën sahati)

     9)   ma - mu (majmuni)

     10) bëk - bëk (për buka)

     11) u - jaaa (për ujët)

     12) ja (kur tregon me gisht)

 

     ----  *  ----

 

     Për pak harrova evenimentin: Më 7 janar ngriti krye dhëmbi i parë i Edlirushit, lajmëtari bardhosh që shënon erën e ngrënies së mishit!

 

     30/01/62

     Pak me vonesë po shkruan babi për ngjarjen e madhe: për përvjetorin e parë të Edlirës… I shkreti babi! Punët e kanë ngatërruar ca dhe mezi gjen kohë për ditarin e çupës… Ah, babi… babi! Mos u bëj i keq! Ç’të shkruaj më parë? Muaji i dymbëdhjetë është një muaj i plotë, është një hap i madh në rritjen e fëmisë, një kapërcim në një fazë më të lartë. Sfera e veprimtarisë: dëshira, dashja, kërkesa duken qartë në çdo çast. Edlira tregon çdo gjë me gisht dhe kërkon që t’ia japësh. Ka nja tre javë që bëri në fillim tre çapat e pavarura dhe pastaj, vetëm një herë gjashtë – shtatë çapa. Po këtë guxim ende e merr rrallë… Edlira tani, di të përkëdhelet me mjeshtri, di të zëmërohet me marifet, për të bërë efekt.  Gjith ditën “llomotit”, ka mësuar shumë mirë dhe i shqipton relativisht bukur edhe dy fjalë të tjera:

     1)   nena (nëna)

     2)   nona (gjyshja)

     fjalori aktiv arriti në mbi 14 fjalë. Ndërsa për fjalorin pasiv është vështirë të thuash se sa ka arritur numri. Lirka kupton tani shumë. Më interesante paraqitet çfaqja fillestare e veprimeve mendore: Gjatë muajit të dymbëdhjetë, unë kam vënë re premisat e krahasimit (një ditë Edlira mbante në dorë majmunin - lodër, i zinte atij flokët dhe pastaj turrej në këmbë e zinte flokët e mij, - kjo u përsërit disa herë); analizës, (me gishtin e madh përpiqet të qërojë portokallin, mandarinën dhe bile edhe mollën. - Çudi se si ia thotë ajo mëndja e vogël se këto fruta, nuk hahen pa u qëruar!); sintezës, (një papagalli prej llastiku i kish rënë kapsulla e poshtme që prodhon zërin dhe Edlira përpiqej që ta vinte atë në vënd, sigurisht pa sukses)… Po më e bukura është “prirja” e saj për të kercyer. Ne i themi: “Këndo…kërce, Edlira! Kape fustanin!” - dhe ajo me një dorë në cepin e fustanit bën lëvizje ritmike sipas muzikës. Këtë veprim e përsërit edhe vetë, sa herë dëgjon muzikë në radio.

     ……………………………………

 

     20/02/62

     Çdo ditë që vjen, unë e ndjej më të pafuqishme pendën time për të pikturuar ato gonxhe që shpërthen zhvillimi psiqik i fëmisë… Sikur ne të ishim aq të saktë dhe të thellë në vrojtimet dhe konstatimet tona, aq sa është vetë ky zhvillim, atëhere shkenca e psikologjisë (veçanërisht të fëmijëve), nuk do të ish aq mbrapa dhe e përciptë, sa ç’është tani…

     ………………………………………

 

     2/04/62

     Mbrëmë, në theatrin e kukullave u dha premiera e “Gjyqit të maçokut“ (të cilin babi ia ka kushtuar Edlirës). Në premierë asistoi dhe Edlira që u tregua çupë e sjellshme; nuk qau asnjëherë; dy here reagoi me “mjau” dhe aty nga fundi tregoi dëshirë për t’i kapur kukllat - aktore me dorë… Premiera u prit mire, shoqja Edlira!

 

     10/04/62

     Shpejto, vëlla, të bëhesh me fëmijë!

     Kush nuk provon ndjenjat prindërore, nuk ka njohur një anë të mundimshme, por ndoshta dhe më të bukurën e lumturisë njerëzore… 

 

Këtu marrin fund shënimet e vitit të parë (shënimi im E.D.).

 

( Ditari i babës vazhdon )

 

 

 

- KOLOSI I LETRAVE BEDRI DEDJA -

 

( Përgatiti Moderatori i www.pashtriku.org , 13. 04. 2001  )

 

 

powered by Beepworld