Emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim

ETNONIMI KOSOVAR DHE KUPTIMI HISTORIK I TIJ 

Shkruan: Begzad BALIU, Prishtinë

 (www.pashtriku.org – 13.07.2007 / 21:05)

Emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim janë dy elementet onomastike të cilat do të mund të diskutoheshin jo vetëm duke iu qasur nga aspekti gjuhësor e historik, por edhe nga aspekti semasiologjik, shoqëror, politik, diplomatik, motivor etj. Le t’i shohim njëherë emërtimet Kosovë si toponim dhe kosovar si etnonim:

-Kosovë, emër historik për territorin jo aq të përcaktuar të Dardanisë antike;

-Kosovë, emër i Krahinës së Kosovës nën regjimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë;

-Kosovë, emër i Republikës së Kosovës në vitet 1989-1999;

-Kosovë, emër i sotëm i Kosovës;

- Mala Kosova (Kosova e Vogël), emër i një pjese të Kosovës që kap kryesisht krahinën e Llapit dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës;

- Kosova dhe Metohija: në trajtë administrative serbe e shekullit XX.

Ndryshe ndodh ndërkaq me rrafshin historik dhe gjeografik të etnonimit kosovar:

-Kosovar: etnonim. Njëri prej etnonimeve shqiptare, si dibran, mirditor, shkodran, llapjan etj. Në shumë këngë shqipe të Kosovës, thuhet: “Jam shqiptar, kosovar”.

-Kosovar: përcaktues i popullatës shqiptare në territoret e ish-Jugosllavisë nga nënshtetasit shqiptarë të Shqipërisë londineze;

-Kosovar: etnonim i përbashkët për të gjitha etnitë që jetonin brenda Kosovës nga regjimi i ish-Jugosllavisë;

Kosovar: përcaktues etnik për vetveten nga shqiptarët e Kosovës së dëbuar dhe të vendosur me ndihmën e bashkësisë ndërko­mbë­­tare në shtetet e treta, për t’u dalluar nga emri shqiptar (albanian) të cilën administrata ndërkombë­tare nuk e pranonte, prandaj si kompromis ndërmjet etnikut jugosllav, (i cili imponohej përdhunshëm në Maqedoni dhe insistohej në vendet e treta) arrihej në kompromisin kosovar;

-Kosovar: përcaktues i të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut, megji­thëse edhe ky nuk është stabilizuar plotësisht.

 

Në kuadër të fenomeneve motivuese, gjatë kësaj kohe ka kaluar edhe vetë etnonimi kosovar. Nëse shikojmë rrugëtimin historik të tij, etnonimi kosovar, deri në fillim të shekullit XX, ka mundur të barazohet me etnonimet e krahinave etnografike: gegë, toskë, çam, kosovar, dreni­cas, labriot, dukagjinas, rugovas, gallapas, llapjan etj., por pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pushtimit të Kosovës nga shteti serb, etnonimi kosovar nga shqiptarët e Shqipërisë së lirë ka përfshirë banorët shqiptarë të mbetur nën ombrellën e mbretërisë serbo-kroato-sllovene që quhej Jugosllavi. Për të njëjtit, ky etnonim ka vazhduar të mbulojë të gjithë shqiptarët deri në fund të këtij shekulli edhe nga politika shtetërore shqiptare.

Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë londineze, shqipta­rët e pushtuar nga sllavët e kanë quajtur veten e tyre shqiptar dhe kur e kur edhe kosovar, vetëm për atë pjesë të popullatës që ka jetuar brenda kufijve të Kosovës, ndërsa sllavofolësit i kanë quajtur me emrin e vjetër arbanas, ose edhe shiftari e shiptari (eufemizmë) dhe albanci, në të gjitha rastet në shkallë të administratës shtetërore.

Në shkrimet gazetareske dhe në fjalorin diplomatik të Europës nga të huajt etnonimi kosovar ka filluar të përdoret për shqi­ptarët që migruan këto dhjetë vjetët e fundit, mbase më shumë për të dalluar nga migracioni po kaq vërshues nga Shqipëria.

Tradita gojore shqipe e ka “shqiptar - kosovar” dhe anasjelltas: “jam shqiptar e kosovar” thotë rapsodi, mbase një shprehje e traditës, së ruajtur si “italo - arbëror” dhe “italo-shqiptar”. E ndihmuar edhe nga një ndërhyrje politike, pas vitit 1981, në traditën gojore emri mal(ë)sor në shumë raste erdhi e u bë sinonim i emrit shqiptar. Këngëtari popullor në shumë raste për toponimin Shqipëri përdorte toponimin Mal(ë)si, ndërsa për etnonimin shqiptar përdorte etnonimin malësor. Kjo trajtë, megjithëse jo në admini­stratë, përdorej në bisedimet e përditshme edhe brenda qarqeve politike e shkencore serbe. Një drejtues i Bibliotekës Universitare të Beogradit, duke më njoftuar për ardhjen e një punëtori të ri në Bibliotekën e albanologjisë, më thoshte: “Kemi pranuar një punëtor nga Mali i Zi, por ai është malësor e jo cërnogorac (sic!), me çka më jepte të nënkuptoja se, megjithëse punëtori i bibliotekës ishte nga Mali i Zi, ai nuk ishte me kombësi malaze, por shqiptare.

Etnonimi kosovar u bë pjesë e shtypit të përditshëm, e fjalorit diplomatik ndërkombëtar dhe më në fund edhe e dokumenteve personale të shqiptarëve nga Kosova. Natyrisht, kjo nuk ndodhi në të gjitha rastet. Deri sa në Shqipëri, në rubrikën e dokumenteve zyrtare nacionality shkruante: kosovar, në të njëjtin dokument në Maqedoni, për të njëjtën rubrikë, shkruante: YU (jugosllav), sikur edhe në të gjitha shtetet ku punonin shqiptarët nga Kosova që në fillim të viteve ’60.

Përkundrazi, refugjatët e luftës, si duket, qenë të parët që e thyen këtë rregull. Për herë të parë, në dokumentet me vlerë ndërkombëtare, shumë refugjatët e luftës nuk pranuan të nënshkru­hen në dokumentet e tyre shtetësinë jugosllave, por kërkuan që ajo të jetë shqiptare-kosovare, ose kosovare, siç arrihej me kompromis.

Shikuar nga aspekti juridik, me sa dimë ne, në këto dokumente (me vlerë ndërkombëtare), për herë të parë shte­tet ku u vendosën të dëbuarit, brenda sistemit juridik dhe legjislativ të tyre kanë pranuar identitetin dhe etninë e kosovarëve, pra, para se të pranohet shteti i Kosovës.

Pas mbarimit të luftës dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare, në Kosovë, disa të ashtuquajtur teoricientë të kombit kosovar, kanë marrë nismën për përkufizimin e kombit kosovar. Përdorimi i emrit kosovar nuk ka mu­nguar as nga institucionet ndërkombëtare, me të cilën ata kanë emërtuar të gjitha nacionalitetet në një etnitetet të Kosovës.

Kujtimi i krijimit të kombit kosovar na kujton edhe një tregim nga historia. Sipas disa historianëve, në vitin 1966, qeveria e Beogradit kishte arritur në një vlerësim të caktuar sa të besonte se në Kosovë, përveç udhëheqësve politikë, ishte krijuar edhe një inteligjencë e mjaftueshme që t’i kundërvihej politikës dhe kulturës së Tiranës, prandaj duhej krijuar edhe kombi kosovar, e madje edhe shteti i Kosovës.

Pavarësisht nga historia, shqiptarët në Kosovë duhet të krijojnë konceptin e tyre rreth etnonimit kosovar, sepse kam përshtypjen që etnonimi kosovar nga ndërkombëta­rët ka filluar të konceptohet si një emërtim që deri dje mbulonte konceptin për etnonimin jugosllav, dhe mbulonte të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë. Në pasqyrën e regjistrimit të vitit 1972 u krijua një rubrikë e veçantë në kuadër të të gjitha etnitete­ve: sllovenë, kroatë, malazez, shqiptarë, maqedonas, jugosllavë, serbë, hungarezë etj. Teoricientët e krijimit të kombit kosovar, jo rrallë janë nisur nga konceptet çinte­gruese në shkallë kombëtare të dala dhe të reklamuara shumë dhjetë vjetët e fundit për gegët dhe toskët, për Veriun dhe Jugun e Shqipërisë etj., prandaj është e kuptue­shme pse mendimet e tyre janë pritur me reagime, me ftohtësi dhe madje me frikë.

Një gjë ndërkaq është më se e vërtetë. Sot edhe analistët që merren me studimin e çështjes shqiptare dhe ballka­nike guxojnë të thonë se ‘një komb i ri po lind’. Kjo dëshmon se brenda strukturës së këtyre teoricienëve sot nxisin, kontribuojnë dhe lobojnë edhe një numër i caktuar i të huajve.

Për ne tashmë shtrohet nevoja e disku­timit të kësaj çështjeje me vetëdije kritike për të sotmen dhe me vetëdije historike për të ardhmen. Ky është pro­blem kombëtar që duhet diskutuar me përmasat histo­rike të çështjes e kurrsesi me pikëpamje dhe vetëdije krahi­nore ose rajonale. Ky është problem që do një diskutim tjetër, një studim të ri.

Onomastika dhe antroponomia shqiptare pjesë e vlerave historike

MOTIVET DENOMINUESE NË ANTROPONIMINË E TË DËBUARVE TË KOSOVËS (1998-1999)

 Shkruan: Dr.Begzat BALIU, Prishtinë

(www.pashtriku.org – 30.06.2007 / 21:30)

 ***

Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar është historia e përpjekjeve për ndërtimin e identitetit kulturor, gjuhësor, etnik dhe kombëtar, prandaj është e kuptue­shme pse edhe onomastika në përgjithësi dhe antropo­nimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Shumë dekada shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti kanë vazhduar të luftojnë për lirinë e tyre dhe po kaq dekada fëmijët e tyre i kanë pagëzuar me motive të kësaj qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve të krenarisë, me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar etj. Kështu, ata edhe sot vazhdojnë që me emrat e fëmijëve të tyre të identifikojnë momentet më të lavdishme nëpër të cilat kalojnë viteve të fundit, viteve më të lavdishme të historisë sonë, viteve kur djemtë dhe vajzat e këtij populli ngritën përballë pushtuesit shekullor krenarinë e shqiptarëve, në vend të përuljes së deridjeshme; nxorën vlerat më të larta të dinjitetit të tij, në vend të vetive të stërkequra morale të deridjeshme; treguan vendosmërinë për të ndryshuar jo vetëm bindjet politike të politikave të brendshme, të cilat e bënin pushtetin, por edhe bindjet politike të diplomacisë së kancelarive të Europës dhe Amerikës, se shqiptarët e Kosovës janë ngritur në luftën e fundit dhe vendimtare për jetë a vdekje.

Dhe këtë luftë shqiptarët e kanë bërë edhe me një vlerë të rëndësishme kulturore, gjuhësore, etnopsikolo­gjike, etnokultu­r­ore, që ka ndihmuar mbijetesën e tyre: kjo është vazhdi­mësia për të përtërirë emrat historikë, vazhdi­mësia që me emrat e rinj të shenjëzojnë ngjarjet historike, vendet ku janë zhvilluar ato ngjarje historike; toponimet, oronimet, hidroni­met dhe shumë onoma të tjera, që në momente të tilla kanë marrë karakter historik. Kjo është vazhdi­mësia për të bërë të pavde­kshëm emrat e gjyshërve, baballarëve, vëllezërve të vrarë, luftëtarëve më të njohur etj.

Kjo veçori e popullit shqiptar është diktuar mjaft herët nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, me ç’rast është konstatuar se fjala është për një veçori të hershme arbërore dhe madje ilire[1]. Populli shqiptar në Kosovë, edhe në luftën e fundit 1997-1999, ka vazhduar që jo vetëm ojkonimet, mikroto­po­nimet, oronimet etj., por edhe fëmijët e posalindur t’i emërtojë në mbështetje të motiveve histo­rike dhe aktuale të kohës nëpër të cilën po kalonte.

Duke vënë re këtë element të rëndësishëm të shoqërisë së Kosovës për shquarjen e kësaj veçorie edhe në këto vite, kam bërë hulumtime të kësaj dukurie gjatë viteve të fundit dhe i kam bërë objekt studimi.[2] 

Bazat e një sistemi onomastik me burim nga motivet e historisë bashkëkohore i ka ndjekur si toponi­mia, ashtu edhe antroponimia, të cilat si motiv kanë burimet denomi­nuese të kohës, sigurisht për shkak se toponimet dhe antroponimet e tilla zgjojnë ndjenjat e përkatësisë kombëtare. Këtu për motiv merren rrethanat e lindjes së fëmijës, që përkujtojnë ndonjë moment, vend ose ngjarje me rëndësi historike, dukuri natyrore apo situata të kohës etj., të cilat prof. Shefki Sejdiu i grupon në bashkësinë e burimeve e motivi­meve denominuese antro­po­ni­­mike që shprehin dëshirë[3]. Është e kuptue­shme prandaj pse ndryshe nga përvoja e shënuar në luftërat e tjera shumësheku­llore, gjatë gjithë kësaj kohe të fundit ka pasur më shumë emra abstraktë (gjithnjë të motivuar në nomenklaturen gjuhë­sore dhe semantike të shqipes), sesa emra të karakterit historik.

Në Kosovë kanë vazhduar të krijohen toponime të reja kryesisht me karakter historik. Edhe në këtë rast, siç do të shprehej studiuesi Igor Gostl “fusha semantike e toponi­me­ve është shumështresore: në të reflektohet, ndër të tjera, varësia politike, përkatësia etnike, kontinuiteti i popu­llzi­mit. Me një fjalë, ato shprehin realitetin ekzistues gjeogra­fik, politik ose etnik. Kështu, toponomastika merr jo vetëm nuanca kuptimore, profe­sionale, shkenco­re por edhe politike e gjeopolitike”[4].

Toponimet dhe oronimet e vjetra brenda ditës kanë marrë karakter politik e historik, bie fjala: Likoshan, Prekaz, Lugina e Leshanit, Gllogjan, Junik, Koshare etj; emrat e krahinave shpesh të harruara, si rezultat i ndryshi­meve shoqërore: Drenicë, Rrafshi i Dukagjinit, Llap, Reka e Keqe, Rugovë etj., brenda kësaj kohe janë rikujtuar dhe janë bërë pjesë e historisë sonë të re. Emrat e krahinave etnografike dhe shpesh me përdorim, brenda natës janë bërë sinonim i vetëdijes historike, i krenarisë kombëtare e historike, i vlerave më të larta morale dhe shoqërore të kohës.

Dhjetë vjetët e fundit jemi dëshmitarë të prirjes së formimit paralel të toponimeve dhe antroponimeve me motive nga zhvillimet e përditshmërisë në nivel të Kosovës dhe në nivel të zhvillimeve shqiptare. Në Kosovë, gjatë këtyre viteve, shumë toponime janë bërë shembull i krenarisë dhe pjesë e identitetit tonë kulturor, shoqëror dhe horizonti më i lartë i vetëdijes sonë historike. Një dekadë më parë, toponimi Fusha e Lotëve, gjatë Aksionit të Pajtimeve të Gjaqeve është emërtuar Fusha e Pajtimit. Toponimi me motiv legjendar Qafa e Krushqëve të Ngrirë, për të cilën legjenda thotë se “aty janë therrë me thika deri në një treqind krushqë të dy dasmave, dhe dyluftimin e kanë mbyllyr nuset nën duvak”, ishte emë­rtuar Qafa e Krushqëve t’Pajtimit. Po krijoheshin toponi­me të reja, të cilat në mënyrën e tyre bënin historinë e re të Kosovës. Kështu janë krijuar edhe toponimet e tipit Lugina e Pajtimit, Livadhi i Pajtimit, Fusha e Pajtimit dhe antroponimet Pajtim e Pajtime. Po të kësaj kohe, për një ose dy vite më parë janë edhe antroponimi Minator dhe shkolla “Minatori”, i motivuar nga lëvizja e minatorëve në vitin 1989. Me të njëjtin motiv të denominimit antropo­nimik e toponimik është vazhduar gjatë luftës në Kosovë, por edhe gjatë përndje­kjes masive të shqiptarëve jashtë Kosovës. Gjatë kësaj kohe shpesh do të dëgjojmë dhe shpesh do të lexojmë toponi­met e tipit Lëndina e Dëshmo­rëve, Fusha e Dëshmorëve, Kodra e Dëshmo­rëve të Kombit (Gjilan), Varret e Dëshmorëve (Kukës, Shqipëri) etj., madje për herë të parë, ky tip i toponimeve do të depërtojë edhe në jetën e qytetit: Parku i Dëshmorëve të Kombit (Sharr) etj.

Në jetën personale, familjare dhe shoqërore të shqiptarëve do të hyjnë me motive të sforcuara paradi­gma­tike edhe një numër i madh i emrave më pak ose më shumë të njohur, të ndarë edhe këta në dy linja: Linja e parë është ajo e toponimeve me karakter mburrjeje e krenarie: Kukës, Qaf e Morinit dhe Qafë e Morinës, Bajram Curr, Shko­dër, Tiranë, Durrës, Korçë, Koni­spol, Tetovë, Dibër, Shkup, Strugë, Ulqin etj., dhe vija tjetër e toponimeve me paradigmë të së keqes: Bllacë, Stankovec, Çegran etj.

Megjithëse në shumë kampe të dëbuarit kanë gjetur shpëtim dhe pritje të sigurtë, asnjë kamp shpëtimi në Maqe­doni nuk paraqitet (sipas vlerësimeve gojore të popullatës) si sinonim i së mirës, shpëtimit etj. Përku­ndrazi, të gjitha kampet paraqesin vendin e vuajtjes, dhembjes, lëndimeve shpirtërore etj. Ndryshe nga kampet, ndërkaq, çdo familje shqiptare, çdo shtëpi e shqiptarëve, për të dëbuarin paraqet vendin ku familjet nga Kosova gjejnë shpëtim, paraqet sinonim të së mirës, sinonim të shtëpisë së re, vatrës së re kombëtare. Sigurisht, edhe për shkak se familjet shqiptare lëvizin brenda trojeve etnike dhe etnografike shqiptare, pavarë­sisht prej kufijve të rinj dhe pavarësisht prej sistemeve shtetërore, me cilësimet me të cilat shprehen të dëbuarit shqiptarë për familjet jashtë Kosovës: në Maqedoni dhe Shqipëri, ne e kuptojmë konceptin mbi arbërin si etni, sipas traditës popullore dhe asaj të shkruar që paraqet Skiroi i Ri, kur thotë se: “aty ku arbëri ndezte një zjarr, aty ishte arbër”. Le të thuhet ndërkaq, se as kampet e tjera në Shqipëri nuk kanë lënë ndonjë përshtypje të keqe, krahas vatrave familjare.

Nga të gjitha pikat toponimike, emri i Bllacës do të bëhet mbase shenja më e përgjithshme dhe vlera më universale e konceptit tragjik për toponiminë historike të dëbimit të shqiptarëve nga vatra e tyre. Kampi i Bllacës, deri një ditë më parë, një toponim i zakonshëm i fshatrave shqiptare, tani fshat ndërmjet kufirit Kosovë - Maqedoni, është sinonim i kalvarit nëpër të cilin kanë kaluar shqiptarët e dëbuar nga ushtria serbe, në fillim të prillit të vitit 1999, dhe aq më shumë, një shembull i ri i Tivarit të vitit 1945. Dhe prej këtu, thëniet e përditshme në Kosovë: “Bllaca është një Tivar i kohës sonë”. “Për çdo brez nga një Tivar i ri”. “Kush e ka kaluar kalvarin e Bllacës do të jetoj edhe njëqind e një vjet”. “E kemi mbijetuar Bllacën e jo edhe këtë dimër”. “E kemi mbijetuar Bllacën e s’po e kalojmë edhe këtë (akcilin) problem(vështirësi)” etj. Pa dashur që këtu të merremi më gjatë me Bllacën, nuk do lëshuar pa e përmendur se, nga individë që luftën dhe sjelljen tonë e kanë shikuar nga një prizëm kritik, nuk kanë munguar as ata që Bllacën e kanë quajtur edhe “sinonim të inteligjencës së Prishtinës” (!).

 Antroponimia pasvajtëse

Cilat janë motivet denominuese antroponimike që do të mbulonin të gjitha antroponimet e fëmijëve të lindur pas fillimit të luftës në Kosovë, dhe sidomos pas dëbimit të shqiptarëve në Maqedoni, Shqipëri, Europë, Amerikë etj[5].

Nga një regjistër i bërë në Shoqatën “Nëna Terezë” në Dardani të Prishtinës, prej pesqind e një emrave të fëmijëve të lindur gjatë vitit 1999, më kanë dalë vetëm katër emra të paradigmës fetare: Elmedina (tri herë), Xheneta (tri herë, të kujtojmë se emri i saj nuk ka gjithnjë paradigmë fetare, sepse ka mundur që prindi si paradigmë të ketë marrë emrin e këngëtares Xhenet Xhekson –BB) Elfati dhe Medina nga një herë. Emrat më të shpeshtë në këtë regjistër, pjesa më e madhe e të cilëve kishte lindur jashtë Kosovës ose jashtë shtëpisë së prindërve të tyre, kishin të bënin para së gjithash me motivet aktuale të lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirimin e Kosovës, me aktualitetin e kohës etj: Flamur, Urim, Albulenë, Çlirim, Lumbardh, Laberion, Toskë, Furtunë, Albion, Arbias, Molos, Qëndresë, Arbërie, si trinom familjar: Qëndresa, Qëndrim e Çlirim, pastaj Granit, Kastriot, Ejona (fjala e jona, e kthyer edhe në antroponim e toponim, në përdorimin e pjesëtarëve të lëvizjes kombëtare ka pasur të bëjë me Shqipërinë), Leutrim, Çlirimtare, Trim, Lirije, Liridon, Kosovare, Arbër; binomi: Qëndresa e Qëndron, pastaj Shpresim, Fitim, Çlirimtar, Delvina, Flaka, Skordion, Lindita, Fitore, Yll, Vatër, Lirim, Atdhe, Festa, Jon, Andrra, Gramoz, Shota, Shqipton, Shreson, Shpat, Etnik etj.

Nuk ka dyshim se motivet janë të shumta dhe të ndryshme, por asnjëra nga këto nuk dalin jashtë veçorive të trashëgura që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por jo edhe e dalë jashtë sistemit të motiveve. Fjala është për:

Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike;

Tipin e emrave që tregon besim në të ardhmen;

Emrat e fëmijëve që tregojnë veçori kohe;

Tipin e emrave të traditës dhe bestytnisë;

Tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët;

Tipin e emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj[6].

 Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve - luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në traditën popullore, edhe më parë ka ndodhur që fëmijët të trashëgojnë emrin e babait, të gjyshit, të axhës ose të një anëtari të familjes, po më shpesh të vëllait ose të motrës së vdekur gjatë ose pas lindjes. Kjo traditë është bartur më pak ose më shumë edhe gjatë viteve kur shumë motra, vëllezër e prindër ranë në demonstrata gjatë viteve 1981-1999. Bie fjala, Bardha Bardhosh (Bardhosh-emri i gjyshit) Gërvalla mban emrin e babait të vrarë nga sigurimi jugosllav në Gjermani më 1982, ndërsa babai i saj mbante emrin e babait të vet Bardhoshit, të vrarë ndërmjet dy luftërave botërore, gjatë kolonizimit serbo-malazez të rrafshin e Dukagjinit. Fahri Fadil Fazliu nga Prishtina mbante emrin e axhës Fahri Fazliu, i vrarë në një kundërvënie të armatosur policisë serbe më 1989 në Breg të Diellit - Prishtinë. Mustafë Mustafë Veseli nga Theranda mban emrin e babait të vrarë në demonstratat e vitit 1989 në Prishtinë etj. Të këtyre motiveve janë edhe emërtimet e fundit, por ka qenë mjaft e theksuar, sidomos në rastet kur babai i të lindurit ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më parë sesa vlera semantike kombëtare e emrit dhe më në fund më parë se sa emrin Bashkim (Bashkim) Berisha, i lindur ‘në ofensi­vën e Tushiles’ (Skënderaj), ky fëmijë, për paradi­gmë denominuese ka marrë emrin e babait të vrarë, ushtar i UÇK-së. Nuhi Nuhi Geci i lindur në maj të vitit 1999 në Tiranë, tre muaj ka pritur gjetjen e kufomës së babait, luftëtar i UÇK-së në Drenicë, për të verifikuar vdekjen e tij ose jo, dhe për t’i marë emrin. Ramiz (Ramiz) Bazaj (Tërstenik) u lind më 1 tetor 1999 dhe mori emrin e babait të vrarë si ushtarë i UÇK-së. Halim (Halim) Bajraktari (Drenas) lindi më 1999, dhe përtëriu emrin e babait të rënë në luftë, ushtar i UÇK-së. Driton Ahmeti (Likoshan) u pagëzua me emrin e Driton Ahmetit të vrarë në familjen Ahmeti në masakrën e Likoshanit të ndodhur më 28 shkurt –1 mars 1998. Ismet Shkëlzen Ramadani, i lindur në pyll, ka marrë emrin e gjyshit të vrarë, sikur edhe Haki Muharrem Ramadani etj.

Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike

Mund të thuhet se me fillimin e liberalizimit të politi­kës jugosllave, diku nga viti 1966 e këndej, në Kosovë, por fatkeqësisht jo edhe në Maqedoni e më gjerë në ish-Jugosllavi, filloi emërtimi i fëmijëve me emra që tregonin jo vetëm motivin historik, e që kryesisht kishin të bënin me bartjen e emrave historikë (heronj, shkrimtarë e madje edhe emra të personazheve të veprave të tyre, piktorë etj.), por edhe me emra nga leksiku i gjuhës shqipe, që tregonin veçori të lëvizjes sonë të përgjithshme kulturore, historike dhe çlirimtare. Gjatë luftës së fundit, paradigma të tilla kanë dominuar shumë edhe në gjithë hapësirën kombëtare nga kanë lëvizur të përndjekurit dhe të dëbuarit e Kosovës, por kjo paradigmë do të dominojë sidomos për atë popullatë që do të mbetet në lëvizje të përditshme brenda kufirit të Kosovës. Le të shohim disa shembuj: Çlirim Ragip Krasniqi (Carrallukë, Malishevë). Qëndresë Sabit Gashi (20.4.1998, Vërbovc - Drenas) ështe emër përku­shtimi ndaj Luftës së Likoshanit. Yllka Naim Bazaj (Tërste­nik), ka lindur në fushën e Tërdefcit, në qershor 1999. Leutrim Fadil Dvorani nga Tërsteniku lindi në maj të vitit 1999 në Malet e Tërstenikut, gjatë kohës kur pesë ditë me radhë u mbajt fronti në mbrojtjen e Urës së Spahisë në Tërstenik. Herolinda Musli Krasniqi (Negroc) është vajza e ushtarit të UÇK-së, i vrarë në Malet e Berishës. Qëndrim Jakë Bytyçi (Shkozë, Malishevë) lindi në qershor 1999 në Gjermani. Binjakët Pëllumb e Qelik Ejup Thaçi lindën në Malet e Berishës. Siç dihet, emri Çelik na paraqitet për herë të parë në antroponi­minë shqiptare në Kosovë dhe është motiv i denomi­nuar nga emri i Fatmir Limës, i njohur nga lufta si Komandant Çeliku; Dardan Fatmir Jashari (Açarevë) lindi në prill të vitit 1999 te Tunelet e Ujmirit. Qëndrim Naim Zabeli (Rezallë), lindi në ofensivën e parë të gushtit, vetëm pak ditë pas arritjes në Prishtinë. Malësore Shaban Reci (Siçevë) lindi në shtator 1998 në Ulqin. Kosovare Rexhep Rexhepi lindi në Burrel. Çlirim Ali Totaj (Gjonaj, Prizren) lindi në një spital të improvizuar në një shtëpi private. Vëllain e kishte luftëtar në Brigadën 138, Zona e Pashtrikut “Agim Ramadani”; Drilon Musa Gashi (Prizren) lindi në spitalin e Durrësit. Pagëzuesja, nëna e tij, siç duket me këtë emër ka krijuar një trinom historik Drilon, Teutë, Taulant.

 

Tipi i emrave që tregon besim në të ardhmen

Asnjë popull që lëviz në rrugën e lirisë nuk e bën këtë lëvizje vetëm brenda një aspekti a një prizmi të theksuar, por shpesh ndodh që këtë lëvizje ta bëjë vetëm një shtresë e caktuar kulturore, sociale, filozofike etj. Aq më tepër, në këtë lëvizje, shpesh, ndodh që bartës të misioneve të caktuara dhe të ndryshme nga njëra - tjetra të jenë jo tërësia e një populli, por thjesht grupe të caktuara të atij populli. Pa dashur të merrem me krahasime të veçanta, këtu mund të them se, besoj, janë të pakta rastet kur një popull ballafaqohet, qoftë edhe për lirinë e tij, me të gjitha elementet e mundshme kulturore, mendore, ushtarake etj., edhe atë në shkallën më masive.

Identifikimi i idealeve të një populli edhe përmes emrave të pasardhësve të tyre, besoj, janë shembulli më i mirë i gjetur tek shqiptarët e Kosovës. Në pasqyrën e emërtimit të fëmijëve, që nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë, e mbase edhe më parë, mund të gjenden emra që për paradigmë kanë idealet prindërore, familjare dhe shoqërore të familjes kosovare, por sidomos pas vitit 1966, kur ndihet një liberalizim më i theksuar shoqëror, paradi­gma e idealeve të tyre si bazë për emërtimin e fëmijëve shtohet dhe zgjerohet shumë, për të mos thënë bëhet vlerë kryesore. Pasqyra e nxjerrë nga fëmijët e regji­struar në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” tregon se baza paradi­gma­tike e emërtimit të fëmijëve me emra kombëtarisht të motivuar shkon deri në 95%. Le të theksojmë se kjo është pasqyrë ku të gjithë fëmijë janë të zonës rurale të Kosovës. Ndërsa, edhe ata fëmijë që mbajnë emra të paradigmës islame nuk janë të motivuar nga kjo paradigmë, por nga qëllimi për të trashëguar emrin e gjyshit, babait etj. Në këtë kohë, pra, në ditët më të stuhishme të luftës dhe të qëndresës popullore, shfaqen edhe emra tipikë të motivuar nga paradigma e besimit në të ardhmen, dashuria për jetën, lirinë, dashurinë etj. Le të lexojmë shembujt konkretë: Rilind Shefki Bellaqa, Potoqan (Rahovec). Lirim Milaim Gashi (Verbovc) lindi në maj 1998. Lirie Fazli Koçinaj (Blaç-Sharr), lindur në Kampin italian të Kuksit. Poetesha, humanistja dhe mjekja e njohur dr. Flora Brovina, e burgosur nga regjimi policor e ushtarak serb në mars të vitit 1999, vajzën e mikut të saj, Nebih Balës (nënën e së cilës e ka pasur gjatë në mbikëqyrje) deri sa ishte në Burgun e Pozharevcit, e ka pagëzuar me emrin Jeta. Pas daljes së saj nga burgu, kam kuptuar se motivi i emërtimit të saj lidhej edhe me pseudonimin e një luftëtareje që e kishte njohur gjatë luftës, Hyrije Veliu - Jeta, për të cilën nuk besonte se është gjallë, duke marrë parasysh përkushti­min e saj në aktivitetet ushtarake. Jetëlira Selim Sahiti (Korreticë e Ulët) lindi gjatë ofensivës së prillit 1999, në fshatin Strubullovë. Çlirim Xhevat Sinani (Korreticë, qershor 1999), u lind në fshatin Shtrubullovë. Pranvera Zymer Gashi (Verbovc) lindi në prill 1999 në Çikatovë të Re, në kohën që kishte të atin të zënë peng nga policia serbe. Rinor Behrami (Domanek) lindi në mars 1998 në Prishtinë. Krijona Jetullah Havolli (Resnik), lindi në maj 1999 në Malet e Resnikut. Siç mund të shihet, emri i saj është një kompozitë e ndërtuar nga parulla Kosova Republikë e Jona. Liridon Haki Avdija (Obri e Epërme) lindi në maj 1999 te Tunelet e Ujmirit. Agon Tahir Halilaj (Tërdevc) lindi në mars 1999 në Malet e Tërdefcit. Endrit Fatimir Çoçaj (Gjonaj, Prizren) ka lindur në fshat dhe është i biri i luftëtarit të Uçk-së. Fitore Dan Hameli (Mazrek, Prizren) lindi në tendën e katundit, ndërkohë që babai i saj kishte rënë dëshmorë.

 Emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe

Në emërtimin e fëmijëve gjatë luftës, nuk ka mjaftuar vetëm baza paradigmatike e trashëguar vite e shekuj me radhë. Në pasqyrën e këtyre emërtimeve janë shënuar edhe emra tipikë që shenjojnë motivin denomi­nues të emërtimit të fëmijëve me emra që tregojnë veçanti kohe dhe madje momenti dhe vendi. Le të pasqyrojmë shembujt konkretë: Malsor Krasniqi (Gllanasellë - Drenas) lindi në Malet e Vërbovcit te Fusha e Mollës, kamp i njohur gjatë ofensives së shtatorit 1998. Siç dihet, kampi ishte i rrethuar nga policët e ushtarët serb. Në kamp ishin rreth 1000 veta (gra, fëmijë e pleq). Policët kishin dëgjuar për këtë lindje, i kishin thirrur dy pleq dhe i kishin pyetur nëse i posalinduri ishte mashkull apo femër. Duke pasur të njohur përvojën e keqe të urrejtjes së policisë dhe ushtrisë serbe ndaj çdo lindjeje shqiptare dhe veçanërisht ndaj çdo lindje të gjinisë mashkullore, pleqtë u kishin thënë se i posalinduri ishte i gjinisë femërore. Çlirim Qosaj (Ferizaj) ka lindur natën e hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në kufirin Maqedoni-Kosovë. Krisma ka lindur më 2 prill 1999 në Qafë të Prushit. Lirie Bylykbashi (Tërstenik) lindi natën e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës. Le të thuhet se antropo­nimi Lirie ka qenë mjaft i përhapur në Kosovë deri në gjysmën e parë të viteve ‘70, por tri dekadat e fundit ndër familjet shqiptare konsiderohej si emër i dalë jashtë mode. Malsore Driton Plakiçi (Nekoc) lindi në prill 1999, në Malet e Berishës. Flaka Krasniqi (Negrovc), lindi në prill 1999 në Malet e Berishës. Flaka (Isak) Kadriaj (Deçan) lindi në kohën që po digjej fshati Isniq, ku ata ishin strehuar përkohësisht. Ishte fëmija i parë dhe babain e kishte luftëtar të UÇK-së. Beteja Luan Kadriaj (Deçan) lindi një ditë pas betejës së zhvilluar në fshatin Rastovicë, në të cilën ishte nën armë edhe babai i saj. Trim Fadil Maloku lindi në një familje prishtinase vetëm tri ditë pas mbarimit të luftës. Familja e tij nuk e kishte lëshuar Prishtinën gjatë bombardimeve duke pritur lindjen e tij. Po kjo paradigmë ka përcjell emërtimin e të posalindurve Lirije Shemsi Ramadani (Vushtrri), Liridon Nexhip Maloku (Besianë), Qëndrim e Mërgim Rexhepi binjak të lindur në emigrim.

 Tipi i emrave të traditës dhe të bestytnisë

Si në të gjitha shoqëritë e botës, edhe shoqërinë e shqiptarëve të Kosovës e ka përcjellë një fije e veçantë e emërtimit të fëmijëve me motive nga trashëgimia e saj, e mbështetur në paradigmën fetare (muslimane dhe të krishterë), paradi­gmën kombëtare e krahinore dhe më në fund edhe në paradigmen e bestytnisë, që tregon edhe për një element të veçantë të ekzistencës të strukturës historike, me rrënjë shumë të thella në këto troje. Shembulli i emërtimit të fëmijëve me paradigma të tilla edhe në ditët më të vështira të zhvillimit të luftës në Kosovë tregon më së miri ekzistencës e kësaj tradite brenda strukturave denomi­nuese të emërtimit të fëmijëve në Kosovë. Bie fjala, Vanesa Mehmet Gashi (Çabiq, Klinë) është fëmijë i lindur pas shumë vitesh martese, Shkurta Vesel Rrusta (1999 Drenas), Fillim Ilir Kongjeli (Prishtinë, 1999), Enis Sylejman Zhdredha (Besianë 1999), Enisa Aliu (Prishtinë) Shkurta Statovci (Prishtinë, 1999), Enis Ibrahimi (Plemetin – Kastriot, 1998), Vanesa Gashi (Prishtinë, 1998) etj.

Në Kosovë, shpesh, me lindjen e parë, prindërit i kanë pagëzuar fëmijët e tyre me emrin e babait ose të gjyshit, me kusht që ata të kishin vdekur që më parë. Mirëpo ka shumë vite që, për nderimin e babait, i biri të interesohet edhe sa është gjallë, prandaj shpesh ka ndodhur që fëmijët të pagëzohen me emrat e gjyshërve të gjallë. Muharrem Nexhat Asllani (Krushë e Vogël, Prizren) ka lindur pesë ditë pas kthimit nga Shqipëria, ku ishin të dëbuar gjatë luftës. Gjyshi i tij Muharremi bashkë me të pesë djemtë, e në mesin e tyre edhe babai i tij, Nexhati, konsidero­heshin të zhdukur dhe për fatin e tyre nuk dihet ende. Familja e pagëzoi me emrin e gjyshit, me qëllim që, siç thuhej “të mos i sillet kobi të jatit”. Siç mund të shihet, kjo traditë e pagëzimit, më parë sesa e mbështetur në veçoritë e mëparshme të nderimit, ka marrë veçori të bestytnisë.

 Nderim për Shqipërinë dhe shqiptarët

Me këtë tip të emrave familjet e përndjekura nga Kosova i kanë nderuar vëllezërit tyre shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, si edhe ata të huaj të cilët kanë ndihmuar luftën, përpjekjen tonë për liri, refugjatët e ndodhur në shumë vendstrehime të botës etj. Tridhjetë vjetët e fundit, fondi i emërtimit të fëmijëve të Kosovës, që për paradigmë denominuese ka pasur emrat e motivuar nga qytetet, fshatrat, malet, lumenjtë etj. të Shqipërisë londineze ka qenë i madh, për të mos thënë dominues në pasqyrën e përgjithshme të emërtimeve. Mund të thuhet se janë të pakta familjet që nuk e kanë emërtuar një fëmijë me bazë denominimi me një onoma nga Shqipëria. Nuk ishte e rastit kjo. Në Kosovë gjenden shumë familje që brenda tyre kanë krijuar një sistem të tërë emërtimesh me emra të qyteteve: Shkodran, Berat, Labinot, Elbasan; maleve: Dajt, por edhe Pushkëdajt, Tomor etj; lumenjve: Drin, ose nga trajta e tij e vjetër (Drilon), Bunë etj., për të cilët nuk është vendi këtu të flitet. Më shumë sesa ndjenjë kombëtare dhe politike, ka pasur shumë vite kur kjo paradigmë e emërtimeve ka qenë edhe modë. Është e kuptueshme prandaj pse edhe në këto ditë të vështira, të dëbuarit do të vazhdojnë të emërtojnë dhe të nderojnë edhe me emrat e fëmijëve të posalindur Shqipërinë dhe popullin shqiptar të përtej kufirit. Albinot Ibrahim Doberdolani (Korroticë e Epërme) lindi në Kukës. Shkodran Mërgim Rexhepi lindi në Burrel.

Valentina Isuf Salihu ka lindur në Prishtinë pas përfundi­mit të luftës. Gjyshërit e saj e kishin kaluar kohën e luftës në qytet dhe në shenjë mirënjo­hjeje ndaj gazetares së Dojçe Veles Valentina Saraçini, e cila çdo ditë në orën 13, e para njoftonte për ngjarjet më të reja të luftës në Kosovë, e pagëzuan me emrin e saj. I kësaj kategorie mund të konsiderohet emri i Olt Pacollit, i lindur në spitalin e Bilishtit (Korçë), kuptimin e të cilit pjesëtarët e kësaj familjeje në Kosovë nuk e dinin, por e kishin pranuar si emër për të nderuar propozimin e motrave të spitalit, të cilat “ishin kujdesur shumë për lindjen sa më të lehtë të nënës së Oltit”.

 Nderimi për të huajt

Ashtu siç kanë nderuar familjen, shoqërinë, Kosovën, luftën çlirimtare dhe Shqipërinë, familjet nga Kosova, me emrat e fëmijëve, kanë nderuar edhe ata të cilët kanë ardhur nga vendet më të largëta të botës, duke i marrë emrat e tyre si relikte historike. “Jam shumë i lumtur që djali im ka lindur diku në Amerikë. Më vjen mirë që ai ka lindur këtu. Dhe ky është shkaku kryesor për ta pagëzuar Amerikan”. – Kështu e përcillte bisedën me një bujk 28 vjeçar nga Ferizaji gazetari i agjencisë telegrafike Rojters më 6 maj 1999 nga Mount Holly, New Jersy. Sahebi Shefki Brahaj (gjonaj, Prizren) lindi në Mullet të Tiranës dhe e pagëzuan mjekët arabë. Le të kujtojmë këtu se në anën tjetër, vëllezërit e saj të lindur më parë në Kosovë mbanin emrat Kushtrim dhe Kujtim. Halit Nehat Asllani (20 maj 1999) nga Bradosana – Sharr, lindur në “spitalin e arabëve” në Kukës, mori emrin e njërit prej tetë mjekëve arabë, që quhej Halit. Po kështu ndodhi edhe me emrin e Mana Ismail Bakiut nga po i njëjti fshat. Ky është emri i parë i këtij tipi. Mirëpo, si fjalë ka ekzistuar. Mana është një sinonim i fjalës dadë, për motrën e madhe etj., të cilat i ndeshim në krahinat e tjera etnografike të Kosovës. Klinton Naim Mehaj (Tomaj, Istog) lindi ditën e ardhjes së Klintonit në Kosovë më 1999.

Përfundim

Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar është historia e luftës dhe e përpjekjeve për liri, prandaj është e kuptueshme pse edhe onomastika në përgjithësi dhe antroponimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Me qindra vjet shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti, kanë vazhduar të luftojnë për lirinë e tyre dhe me qindra vjet, fëmijët e tyre, kanë vazhduar t’i pagëzojnë me motive të kësaj qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve të krenarisë, me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar etj.

Nuk ka dyshim se motivet janë të shumta dhe të ndryshme, por asnjëra nga këto nuk del jashtë veçorive të trashëguara që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por jo edhe e dalë jashtë paradigmës denominuese të saj. Fjala është për emrat e fëmijëve që kanë trashëgur emrat e baballarëve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike, tipin e emrave që tregon besim në të ardhmen, emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe, tipin e emrave të traditës dhe bestytnisë, tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët, tipin e emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj.

Me të gjitha këto dhe veçori të tjera, shqiptarët, edhe kur për shkaqe të dhunshme lëshuan vatrave të tyre, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht u bënë pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës.

 ---------------------------------------

[1]G. Schiro Jr., Kuptimi historik i Arbërit e përgjegja e tij në vetëdijen e popullit Arbëror, Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Nju Jork, 28-30 nëntor 1969; Shefki Sejdiu, Rreth disa motivimeve denominuese në antroponimi”, “Gurmime albanologjike –seria e shkencave filolo­­gjike”, nr. 21-1991, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, f. 63-64; Zymer Neziri, Antroponimet dhe patronimet e epizuara në Rugovë, kumtesë në sesionin shkencor: “Studimi etnografik i ndryshimeve bashkë­kohore në kulturën popullore shqiptare”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 7 e 8 dhjetor 1989, Prishtinë etj.

[2]Në nxjerrjen e përfundimeve sa më të plota kam shfrytëzuar këto materiale: Materialet e mbledhura në terren gjatë ekspeditës së qershorit të vitit 2000 në Komunën e Prizrenit, Sharrit dhe Gjakovës, (kryesisht në Dukagjinin e Poshtëm) të organizuar nga Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës në Prishtinë; dosjen e familjeve të zhvendosura nga veriu i Kosovës (Drenica, Vushtrria, Mitrovica dhe Kastriot) në Prishtinë të bërë nga Shoqata Humanitare “Nëna Terezë” në Prishtinë - Dega e Dardanisë, si dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Prishtinë; një dosje timen të bërë herë pas here nga të dhënat familjare dhe ato të shtypit; pyetësorin e bërë posaçërisht për këtë temë dhe të shpërndarë kryesisht në krahinën e Drenicës, të Llapit, të Gallapit e të Dukagjinit të Sipërm.

[3] Shefki Sejdiu, Rreth disa motivimeve denominuese në antropo­nimi, “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike”, nr. 21-1991, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, f. 63-64.

[4] Shih Igor Gostl, Egzonimia historike (Kontribut qasjes teorike), “Gjurmi­me albanologjike – seria e shkencave filo­logjike”, nr. 17-1987, Instituti Albano­logjik i Prishtinës, Prishtinë 1988, f. 85-86.

[5] Pa dashur që të merrem këtu me konceptet mbi të cilat është hartuar projekti i vlerësimit te konferenca shkencore Mbijetesa etnokulturore e të shpërngulurve nga Kosova 1999, këtu dua të theksoj se për mendimin tim, jo çdo i lindur jashtë kufijve aktualë të Kosovës, por çdo i lindur jashtë pragut të shtëpisë, që më parë është larguar me dhunë, është i shpërngulur, në të vërtetë i dëbuar me dhunë. Nisur nga ky parim, në studimin tonë kemi radhitur të gjithë të lindurit jashtë pragut të shtëpisë, me theks të veçantë jashtë Kosovës.

[6] Po të donim të bënim jo vetëm tipologjinë, por edhe analizat veç e veç të tyre, do të na duhej një hapësirë në shkallë monografie, prandaj e shohim më të arsyeshme që këtu të sjellim materialin, në mënyrë që në një studim të zgjeruar dhe me analiza të plota në të ardhmen, ta botojmë në një botim të veçantë.

Kthehu ne fillim

-------------------------

Pesha e komunikimit

ARBËRORËT FILLUAN TË FLASIN  

 Mr. Myrvete Dreshaj-Baliu & Dr. Begzad Baliu

Botuar më 10.05.2007

--------------------------------- 

PËRMBAJTJA

Atë Antonio Belushi

 Arvanitët: Ju na lini të flasim ne!

Tribuna shkencore: 900 fshatra arvanite në Greqi

 Etnonimi arbanit dhe miti i origjinës

 Kulti i gjuhës ose “gjuha si prestigj i fshehur”

Aristidh Kola dhe kulti i heroit

Kosova: miti i Besës së Re

Epilog

***

Atë Antonio Belushi

Më shumë se shtatë shekuj më parë një murg francez, nën vellon e të cilit fshihej misioni politik dhe madje ushtarak i princave francezë, i njohur me emrin Monakus Brokardus, kishte kaluar detin dhe kishte hyrë në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse shënimet e tij për shqiptarët dhe kulturën e tyre janë të pakta dhe madje të relativizuara disa herë, për ne sot janë dëshmi të veçanta të kësaj periudhe.

Po kaq shekuj më vonë, një murg shqiptar nën veladonin e priftit kalonte detin për të kujtuar dhe për të gjurmuar po ato relikte tash gojore, për të cilat fliste Brokardus, disa prej të cilave kishin mbetur te paraardhësit e tij në trojet e moçme arbërore.

Ashtu si në kohën e Brokardit, murgu i ri i gjakut shqiptar me emrin Antonio Belushi, më 1965 kaloi Adriatikun dhe hyri në vatrat stërgjyshore, duke fshehur nën vellon e tij fetare misionin e tij prej atdhetari: për gjuhën dhe reliktet e saj, etnografinë, etnologjinë etj.

 Misioni i tij tashmë ishte i shumëfishtë, jo vetëm për atë vijë gjaku që vazhdonte të gjallonte në koloninë arbërore të Italisë, jo vetëm për rrënjët arbërore ndër trojet stërgjyshore të Greqisë së vjetër, por edhe për trungun e përbashkët të tyre etnik shqiptar në atdheun amë: Shqipërinë

Në rrethet etnokulturore, kërkimore dhe shkencore ky mision për kohën dukej i pabesueshëm dhe i pamundshëm. Në kohën kur këto kërkime pengoheshin nga qeveria greke, (koha e korronelëve, - sikur shprehej Atë Belushi) madje edhe për studiues të shteteve perëndimore dhe Amerikës, Antonio Belushi nën petkun e klerikut, nisej për të mbledhur visare kulturore, historike, etnografike dhe gjuhësore, për t’i botuar ato më pastaj në disa dhjetëra artikuj dhe vepra të rëndësishme për arbërorët dhe albanologjinë, si: “Ricerche e studi tra gli Arberori dell’ Ellade- Da radici Arbereshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Testi e documenti), - Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës, Centro Ricerche socio-culturali “G. Castriota”, Cosenza, 1994; Gli arberori-arvaniti un popolo invisibile (Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965-2000): Arbërorët - arvanitë një popull i padukshëm – Kërkime etnografike në Helladhë (1965-2000), Centro Ricerche Socio-Culturali G. Kastriota Frascineto (Cosenza), 2004; Dizionario fraseologici degli albanesi d’Italia e di Grecia (Testo originale nella parlata albanese. Traduzione in lingua italiana, inglese e francese.) – Fjalor frazeologjik i arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë(1989) Centro Ricerche Socio - Culturali G. Kastriota Frascineto (Cosenza), 2004 etj.

Ky është sfondi historik i misionit të Antonio Belushit, prift katolik i ritit bizantin nga kolonia e arbëreshëve të Italisë, të cilin, sikur shprehej vetë ai, me arbëreshët e Italisë e lidh vendlindja e tij, me arvanitasit e Greqisë e lidh prejardhja patër-ore, me Shqipërinë e lidh prejardhja matër-ore, ndërsame Kosovën dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi e lidh ideja e shqiptarizmës. Rreth gjysmë shekulli pas udhëtimit të tij të parë ndër arvanitasit e Greqisë (1965-2004), Atë Antonio Belushi nisi një mision të ri. Zërin gjysmë të shurdhër të arbërorëve të harruar në Greqi, zërin e ninullave, të këngëve e të vajtimeve të vdekjes, e bëri të zëshëm dhe të dëgjuar edhe në Kosovë.

Arvanitët: Ju na lini të flasim ne!

Në shtator të këtij viti (2004), nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, në Prishtinë, u mbajt Java e kulturës arvanite. Për emrin e arvanitëve përgjithësisht kishim mësuar nëpër libra, si për emrin, historinë dhe  kulturën e një pjese të popullit shqiptar, të fjetur në njërën prej shtresave etnokulturore dhe gjuhësore të Greqisë mesjetare, ashtu sikur kishim mësuar për kulturën e Trojës së helenëve të lashtë. Në shekullin XX, si nga një thellësi tepër e largët e qendrës së tokës, vinte ndonjë këngë me fjalë arkaike të shqipes së moçme, me ndonjë antroponim të heroit epik, apo me ndonjë ojkonim tashmë të zëvendësuar të administratës së re greke. Në të vërtetë, historia na dëshmonte se si ngjarjet për të cilat flitej, ashtu edhe emrat e heronjve dhe vendbanimet e tyre, vinin kryesisht nga gjysma e parë e shekullit XX dhe shkonin deri në mesjetën e vonë, nëse përjashtohen legjendat, të cilat përudheshin dhe bashkëjetonin me vetë mitet e antikitetit greko-romak, por politika nacional-romantike greke ishte treguar shumë e ashpër dhe shumë e kujdesshme që të përjashtonte apo të fshinte me forcë çdo gjë që ishte shqiptare në brigjet mesdhetare, ndërkohë që ne shqiptarët ishim treguar jo më pak mospërfillës ndaj trashëgimisë sonë.

 Pjesëmarrja e arvanitëve, sikur do të dëgjohet pas ardhjes së tyre në Prishtinë, nuk ishte e plotë dhe nuk ishte e zgjedhur. Apo thënë më saktë, pjesëmarrja nuk ishte ashtu sikur dëshironin të vinin arvanitët. Kishin ardhur drejtues shoqatash dhe disa intelektualë, të cilët kryesisht, zotëronin një shqipe sa për t’u përshëndetur, por jo edhe intelektualë, studiues, politikanë e klerikë me ndikim në jetën shpirtërore, kulturore dhe politike, madje jo vetëm të arvanitëve në Greqi. Në Kosovë nuk kishin mundur të vinin shumë profesorë universiteti, drejtues të lartë shtetërorë, artistë, klerikë të lartë në hierarkinë kishtare, biznesmenë, drejtues institucionesh informative e drejtues shoqatash me koncepte evropiane. Duke ardhur në Kosovë, duke bërë një veprimtari sado të vogël të karakterit nacional në frymën e origjinës, shtetarët, profesorët, klerikët, mësuesit e fshatit e të qytetit, aktivistët e sindikatave, artistët, biznesmenët, gazetarët, do të humbnin në Greqi edhe atë që nuk e kishin humbur kur publikisht kishin deklaruar origjinën arbërore të tyre. Ata, mund të bëheshin objekt i identifikueshëm për pushtetin, si njerëz të dyshimtë, ndërsa familjet dhe sidomos fëmijët e tyre objekt i diferencimit nga moshatarët e tyre grekë. Prej tregimeve të tyre nuk ishte vështirë të kuptoje se në Greqi ende nuk kanë filluar të zbatohen konventat e Bashkësisë Evropiane. Në të vërtetë, më parë se sa të zbatoheshin konventat evropiane për të drejtat e komuniteteve, në Greqi siç duket, ende nuk ka arritur fryma panevropiane e njohjes dhe e mbrojtjes së trashëgimisë gjuhësore, kulturore dhe etnike e komuniteteve vendore. Këtë e dëshmonte edhe belbëzimi i arvanitëve për veten, më parë se sa shqiptimi i mendimit të plotë për të drejtat e tyre të dala nga këto konventa. Këtë e dëshmojnë edhe një varg karakteristikash të dala nga aktivitetet e tyre, të cilat më parë se sa konceptet bashkëkohore të tyre për avancimin kulturor, etnolinguistik dhe historik, sillnin një glorofikim tipik të rilindjes ballkanike të shekullit XIX, bazë e të cilave është: miti, historia, kulti i gjuhës, heroi si viktimë etj. Mendja ballkanike, si duket, edhe për një kohë të gjatë vështirë të pjellë koncepte dhe vlera të tjera.

 Me anëtarë të shoqatave arvanite, të cilave u printe Atë Antonio Belushi, ishte edhe një numër, dukshëm i madh i emigrantëve të rinj shqiptarë, të cilët me sa dukej punonin shumë në fushë të identifikimit të vlerave kulturore, gjuhësore dhe referencave të tjera etnike të identitetit kombëtar të arvanitëve në Greqi. Pa praninë e tyre, besojmë nuk do të ishte i mundshëm aktiviteti kulturor i arvanitëve në Prishtinë. Prania e tyre, ndoshta më së mirë shprehej nga një ankesë e një pjesëmarrësi në tribunën shkencore, kur kërkesës së drejtuesit të tribunës për t’iu përmbajtur kohës së caktuar të ligjërimit, ai iu përgjigj: ju mund ta respektoni kohën e kumtesës suaj, sepse ju mund ta thoni shkurtër atë që keni shkruar, ndërsa ne kemi për të thënë shumë, prandaj duhet të na lini të flasim ne!

(Pasi ky shkrim nuk ka për qëllim vlerësimin e aktivitetit të Javës së kulturës arvanite në Prishtinë, këtu duam t’i theksojmë vetëm disa karakteristika të shfaqura gjatë këtij aktiviteti).

Tribuna shkencore: 900 fshatra arvanite në Greqi

Duke hapur studimin e tij për kontaktet gjuhë­so­re në Greqi, gjuhëtari Pitër Tradgil (1975), shkruante: “Shumëkush nuk e di se në pjesën dërrmuese të fshatrave në rajonin e Athinës jeton më shumë popull me prejardhje shqiptare se greke. Këta njerëz nuk janë emigrantë të kohës së fundit, por pasardhës të shqiptarëve që kanë hyrë në këtë vend në kohë të ndryshme, shumica në mes të shekullit XI dhe XV. Këta shqiptarë të Greqisë ka një kohë të gjatë që i përkasin qartë një identiteti etnik të veçantë, por ky identitet gradualisht po pëson erozion. (...) Ata po ashtu bëjnë përpjekje t’u shpjegojnë të huajve se jo vetëm që janë arbëresh të Greqisë por edhe grekë. (...) Karakteristika kryesore, ndoshta e vetme, e identifikimit të shqiptarëve të Greqisë tani është gjuha e tyre”.

Sikur ky studim, nga studimet e pakta por shumë të çmuara për gjuhën e arbërorëve në Greqi, të ishte i vetëm dhe i harruar në sirtarët e botimeve akademike, përfaqësuesi i zyrës së Greqisë në Prishtinë në fjalën e tij përshëndetëse mezi belbëzoi një numër simbolik vendbanimesh arbërore në Greqi. Kjo bëri që të reagojë nga foltorja Atë Antonio Belushin: “Jo zotëri, në Greqi arbërorët jetojnë në pesëqind vendbanime ku flitet gjuha arbërore, kam qenë vetë atje, që në kohën e korronelëve, janë edhe 200 vendbanime ku më shumë apo më pak dëgjohet dhe ndjehet identiteti arbëror, dhe ende dëgjohet ndonjë frazë shqipe. Janë edhe 200 vendbanime të tjera ku shenja të jetesës shqiptare mund të gjenden vetëm po të gjurmosh toponiminë dhe patroniminë familjare, ndoshta edhe reliktet e lindjeve, të dasmave dhe të vdekjeve”.

Në një atmosferë interesimi, glorifikimi të historisë, krenarisë për të kaluarën dhe dyshimit për të ardhmen, gjuhëtari arbëror që në këtë simpozium përfaqësonte emigracionin e diasporës arvanite në Gjermani, Niko Stylos, shqiptoi disa probleme të gjendjes së ndjenjës së identitetit të arvanitëve në Greqi, me të cilat mund të thuhet se në tribunën shkencore solli mendimin kritik. Asnjëherë nuk na ka munguar vetëdija kombëtare dhe sidomos dashuria për gjuhën arvanite, - tha Stylos. Institucionet shtetërore, arsimore dhe madje fetare kanë bërë shumë për të na e shuar këtë ndjenjë, dhe për fat të keq edhe kur nuk ia kanë arritur plotësisht, sikur është fjala për gjuhën, ia kanë arritur pjesërisht kur është fjala për identitetin nacional. Unë mbaj mend, kur isha fëmijë në shkollën greke, (sepse në Gjermani jetoj vetëm këto 30 vjetët e fundit), megjithëse e dinim se nuk duhej të flisnim në gjuhën arvanite, ne “gabonim” dhe e përdornim atë për ndonjë të sharë mes vete, barcoletë, kompliment për vajzat etj., ndërsa si dhuratë, nga mësuesi i fshatit merrnim disa shkopinj të nxehtë duarve.   

 Tashmë gjendja e identitetit kombëtar të arvanitëve në Greqi është mjaft e ndërlikuar. Ata ende nuk po arrijnë ta ndajnë konceptin kombëtar nga koncepti fetar. Duket se kisha greke ka investuar shumë, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur etnonimi shqiptar dhe toponimi Shqipëri u bënë sinonim i së keqes, izolimit, dhunës, ideologjisë komuniste etj. Gjendja nuk ndryshoi as pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kaosi që përshkoi Shqipërinë në tranzicion pati ndikim të keq edhe ndër arbërorët e Greqisë. Kjo mungesë e ndjenjës nacionale ndër arvanitët u lëkund për të mirë vetëm gjatë Luftës së Kosovës (1997-1999), por edhe atëherë nuk mund të thuhet se u fitua. Jo pak arvanitas, në emër të ortodoksisë, gjatë luftës së Kosovës e mbajtën anën serbe, sepse luftën në Kosovë, si rezultat i propagandës serbe në Greqi, e kuptuan si luftë të karakterit fetar ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve!

Ndonjëri nga referuesit në tribunë madje shkoi edhe më tej, kur tha se ‘nuk e kuptoj deri kur do të vazhdojmë të dëgjojmë mendimin e studiuesve të shekullit XIX, për të ashtuquajturën vendosje të shqiptarëve në mesjetën e vonë në More dhe përgjithësisht në Greqi. Lini librat dhe urdhëroni në vendbanimet e moçme ku kanë jetuar dhe jetojnë arbërorët në Greqi. Do të shihni se atje ata jetojnë para grekëve! Lexoni toponimet, dëgjoni këngët, ritet e lindjes, të dasmave e të vdekjes, prejardhjen familjare të heronjve, miteve, legjendave, ngjarjeve historike dhe madje etimologjinë e shumë fjalëve’.

Duke i dëgjuar të gjitha dhe duke dëgjuar sidomos diskutimet për kërkimet e deritashme kulturore dhe shkencore në fushë të albanologjisë ndër arbërorët dhe arkivat e tyre, se si na u kujtua rrëfimi i Sadri Llukës nga Peja i shpërngulur në Malet e Shalës, bërë përfaqësueseve të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, më 1923: “Këto të gjitha janë shumë të moçme dhe asnjë nuk shkruhet në libër, ndaj janë të vërteta. Unë jam plak dhe kam parë se kur burrat zbresin në qytet për të mësuar se ç’ka në libra, ata kthehen me përbuzje për urtësinë e etërve të tyre dhe, duke harruar çdo gjë flasin marrëzira, fjalët që nuk kanë lidhje me njëra - tjetrën. Por gjërat që një njeri i di, ngaqë i ka parë vetë, gjërat për të cilat ai mendon kur gjendet në udhë dhe kur rri ulur pranë zjarrit, ato gjëra janë të shëndosha. Pastaj kur njeriu është i vetmuar, ai u gjen fjalë atyre gjërave e fjalët bëhen këngë dhe kënga mbetet ashtu siç është, në kujtesën e atyre që e dëgjojnë. Si kënga e Malit të Sharrit. Ndaj, këto këngët tona janë të sakta, se unë di shumë këngë për shumë gjëra, por nuk di këngë që thotë se kënga tjetër është e rrejshme”. (Rose Wilder Lane, Majat e Shalës, 1923, f. 140)

Etnonimi arbanit dhe miti i origjinës

Ditën e parë të Javës së kulturës arvanite në Kosovë u shfaq një film dokumentar, në të cilin na bëri përshtypje teksti i përkthyer në gjuhën shqipe. Shumë nga ata që kishin sadopak njohuri për etnonimin arvanit tekstin e shënuar disa herë gjatë përkthimit e mori për gabim korrekture. Në vend të emrit të shqiptuar arvanit nga folësi i gjuhës greke, përkthyesi e shënonte në fund arbanit. Vetëm në fund, në tribunën shkencore dhe në diskutimet e rastit, kuptuam se disa nga përfaqësuesit e arbërorëve kishin arritur në përfundim se shpjegimi i etnonimit arvanit nga etnonimi i hershëm arbër (mbi parimet e fonetikës historike të greqishtes, sipas së cilës b < v) nuk ishte i saktë. Sipas tyre arbërorët e Greqisë nuk kishin të bënin me kurrfarë shpërnguljesh, prandaj ishin autoktonë edhe me emrin e vjetër të tyre: arbëror. Kështu, fondit të pasur të etnonimeve për emrin e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, si: arbër, arbën, arbëresh, arbënesh, arbënuer, shqiptar, kosovar, Arbëri, Arbëni, Shqipëri, Kosovë, Iliridë, çam, Çamëri, Albansis, albanese, Albaner, albanci, arnaut, arvanit, raban, rabani, kësaj radhe iu shtua edhe një sinonim: arbanit.  E kuptueshme.

 Ndërsa lëvizja kulturore e arbëreshëve të Italisë, duke iu përmbajtur konventave evropiane mbi të drejtat kulturore dhe arsimore të komuniteteve minoritare, interesat e saj i sendërton pa kompleksin e prejardhjes historike, pa nevojën e glorifikimit të saj, duke e parë madje historinë vetëm si nevojë për njohjen e vetvetes, lëvizja arvanitase në Greqi, niset atje ku është ndaluar procesi i ngritjes së vetëdijes kombëtare, në fillim të shekullit XIX.

Derisa arbëreshët e Italisë, (duke u mbështetur në ligjin e miratuar falë konventës evropiane për evidentimin e të drejtave të komuniteteve minoritare) prijnë në përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe, brenda shkollave italiane ku mësojnë arbërorët e Italisë, këta të Greqisë as që presin edhe për një kohë njohjen dhe avancimin e kësaj të drejte nga qeveria vendore, e cila shkarkoi ministrin e saj, sepse ai pati guximin që publikisht të deklarojë prejardhjen e tij arvanite.

Derisa arbëreshët e Italisë diskutojnë çështjen e përdorimit të standardit në shkollë dhe dialektit në kishë, gjithnjë për arsye pragmatike të komunikimit, arbërorët e Greqisë as nuk mund ta diskutojnë përdo­rimin e gjuhës së tyre në kishë dhe e shohin larg ditën kur qeveria greke do të përkrahë nxitjen e përdorimit të arbërishtes ndër shkolla shtetërore, si një vlerë të rëndësishme të kulturës së përgjithshme në vend.

Kjo ka bërë që arbërorëve të mos u mjaftoi historia për njohje, atyre historia u nevojitet për referencë, në të vërtetë ata duke jetuar mes mitit dhe realitetit janë bërë vetë historia. Në Ballkan përgjithësisht të gjithë popujt jetojnë mes miteve, dhe konstruktimin e miteve e kanë njërën prej dhuntive më të suksesshme. Madje më shumë se popujt, mitin e tyre e kanë ndërtuar bashkësitë e ndara më shumë apo më pak nga trungu i tyre, si: miti i prejardhjes nga Aleksandri i Maqedonisë (maqedonasit), miti i Luftës së Kosovës (serbët), miti i origjinës (arbërorët e Greqisë) etj. Mirëpo, miti i arvanitëve, i rikonstru­ktuar tash së voni, do të mund të thuhej se është i veçantë dhe një shembull i mirë për rrethanat historike dhe hapësinore të Evropës Juglindore. Miti i tyre ndërtohet jo mbi racën dhe urrejtjen e tjetrit, jo mbi hapësirën etnike dhe shtytjen e tjetrit, jo mbi konceptin fetar dhe mosdurimin ndaj tjetrit, por mbi kultin e gjuhës - një prej frymëzimeve emblematike të Rilindjes Kombëtare.

Kulti i gjuhës ose “gjuha si prestigj i fshehur”

Në jetën e një populli a të një bashkësie, sado të ketë pasur trysni gjuhësore, kulturore, fetare, ekono­mike etj., gjithmonë gjenden disa shenja të fshehura thellë në gjenin e tij, të cilat reagojnë sa herë rrezikohet humbja e kufirit të fundit të identitetit kombëtar. Ato shfaqen zakonisht si kujtesë e strehuar thellë në ndërdijën e çdo individi dhe njëkohësisht brenda kolektivitetit, prandaj kuptohen si përbërës të etnolinguistikës, por në thelb do të duhej të studioheshin brenda psikolinguistikës. Kështu ka ndodhur edhe me bashkësinë arbërore në Greqi.

Ka ndodhur që në brezat nga gjyshi deri tek nipi, për shkak të zhvillimeve të caktuara brenda shoqërisë greke, janë humbur shumë veçori të sjelljes dhe të veshjes. Nëse gjyshi ka mbajtur një kostum më të theksuar me elemente kombëtare arbërore, kjo ka ndryshuar jo në drejtim të marrjes së elementeve të etnosit grek, por në drejtim të ndryshimeve të përgji­thshme bashkëkohore në artin e veshjes moderne. E megjithatë shenjat e kostumit brenda familjes janë ruajtur: në lindje, në dasma, në vdekje etj. Kur edhe këto janë ezauruar në një përmasë të caktuar, si rezultat i martesave ndërmjet bashkësive, janë ruajtur disa shenja të fshehura brenda strukturës së besimit pagan, kryesisht te gjinia femërore: shenjat për ruajtjen e fëmijës nga mësyshi, të dhëndrit nga e keqja e natës së parë, e amanetit të të vdekurit në varr etj.

Ashtu si me etnologjinë, ka ndodhur edhe me gjuhën. Në kushte të caktuara, të një shkretëtire të pafund, por gjithsesi të mbyllur, sidomos me gjuhën amë, sikur ka ndodhur me arbërorët, ajo është rrudhur dhe në shumë përmasa të tjera dhe duket sikur ka humbur mundësinë e shprehjes. Në ndonjë rast edhe ka ndodhur, prandaj brezi i fundit ankohet se njëra prej arsyeve pse nuk e përdorin gjuhën arbërore, ndonëse ia njohin shenjtërinë, është pamundësia për të shprehur në nivel sa më të lartë mendimin e tyre. Prej, studimeve më të thella nuk është vështirë të shihet se si në shumë raste sintaksa e mendimit është bjerrë kaq shumë, mendimi i tyre i shprehur në gjuhën arbërore nuk është veç se një rend leksikor. E megjithatë, edhe ato kanë përmasën e tyre historike. Në qoftë se një arbëror, mendimin e tij më të lartë për një problem e shpreh më drejt dhe më saktë në gjuhën greke, në gjuhën arbërore, mund të radhisë një leksik të rrallë e të moçëm, duke treguar barcoleta, përralla, pjesë të trupit, dhe më në fund një fjalorth të rrallë eufemizmash, të cilat nuk i gjen dot në fjalorin e sotëm të banorëve të atdheut amë.

Por, ja, ndodh të jenë shkrirë të gjitha, sintaksa, leksiku, përrallat, barcoletat, eufemizmat dhe madje leksiku pezhorativ, pra kur hapësira e gjuhës së tyre nuk është veç se një krra-krra, brenda gjuhës tjetër (tash gjuhës greke) shkon e ruhet një shenjë që nuk ka të bëjë me përmasa të jashtme, por të brendshme, psikologjike, fiziologjike, gjenetike: theksi. “Shumë arbëreshë kanë theks të arbërishtes, kur flasin greqisht”, konstatonte Tradgil, në vitet ’70. A mjafton kjo që gjuha arbëreshe të mos quhet vetëm “prestigj i fshehur” (deri në fund të shekullit XX) apo gjuhë amë e të gjitha gjuhëve (sikur përpiqet të glorifikohet sot), por thjesht, gjuhë e zakonshme dhe gjuhë e komuni­kimit të përditshëm në Evropën e bashkuar.

Aristidh Kola dhe kulti i heroit

Në fund të Javës kulturore të arvanitëve, pamë edhe një film dokumentar për njërin prej figurave emblematike të rilindjes shpirtërore arvanite të kohës sonë. Ishte fjala për avokatin dhe dijetarin e përma­save kulturore evropiane Aristidh Kolën, jo pse kishte studiuar në Francë, por pse në Greqi, mes arvanitëve kishte sjellë frymën evropiane të lirisë së fjalës dhe të mendimit, kishte sjellë frymën e njohjes së vlerave etnokulturore të grupeve etnike.

 Thonë, në Ballkan nuk ka legjendë ku nuk gjendet së paku një hero. Në të vërtetë në Ballkan zor të merret një iniciativë sado e vogël pa kultin e heroit, kryesisht viktimë. Këtë fat në kohën e re e patën edhe arvanitët. Avokati Aristidh Kola, që la profesionin e tij për t’iu përkushtuar zgjimit kombëtar, për të dhënë kontributin e tij për çështjen e Kosovës dhe më në fund për të kundërshtuar konceptet nacional-shoviniste të politikës së Beogradit, që gjithnjë e më shumë po bëheshin edhe koncepte të qarqeve të caktuara greke, papritmas vdiq “nga një sëmundje e pashërueshme”(!). Ndonëse nuk thuhej në film, lajmi për helmimin e tij, nga qarqet zyrtare greke, pikërisht ashtu sikur u helmua Papa Kristo Negovani në fillim të shekullit XX, tashmë është dhënë disa herë. Për arvanitët, Nëna Tereze dhe Aristidh Kola janë dy heronj të përjetshëm! - pëshpëritnin të pranishmit me lot në sy. Ne e dimë se edhe ju keni shumë respekt për Nënën Tereze, por mund të themi se ai që është Adem Jashari për Ju në Kosovë, për Ne në Greqi është Aristidh Kola.

Sigurisht kjo ishte arsyeja pse Aristidh Kola të nesërmen u shpall qytetar nderi i komunës së Skënderajt, asaj komune ku lindi dhe u bë vetë historia, heroi legjendar Adem Jashari.

Kosova: miti i Besës së Re

Kosova edhe njëherë u bë vendi i një marrëve- shjeje historike. Në njërën prej tryezave shkencore, dy pjesët e ndara (arvanitët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë) u morën vesh që tash e tutje do të kenë një emër (etnonim) të përbashkët: Arbëror! Emër, me të cilin ata do të identifikojnë gjakun dhe gjuhën e pashuar të shpirtit të arbrit dhe lidhjen e tyre të përhershme me trungun amë.

Mirëpo, ata krahas identifikimit të tyre me atë që janë: relikt etnik i popullit shqiptar, ngritën edhe mitin e ri. Pasi deklaruan se Shqipëria për më së njëqind vjet nuk arriti të bëhet shenjë mbrojtëse e gjakut të saj të shprishur në Greqi dhe Itali, këtë mision tash e tutje do ta ketë Kosova. Besimi i tyre për Kosovën, si referencë e unitet kombëtar, tashmë konsiderohej i kryer me aktin e parë të këtij organizimi. Tash e tutje, Kosova nuk do të jetë vetëm toka e dhimbjes kombëtare, por edhe e krenarisë dhe unitetit kombëtar, nënkuptohej nga diskutuesit.

Kosova një vend kryqëzimi i miteve ballkanike, kësaj here fitoi edhe një dimension të ri historik.

A do të bëhet tash e tutje Kosova miti i Besës së Re!

Epilog

“- Por kjo nuk është shqiptare, kjo është greke, - thashë unë. Tash më kujtohet se e kam lexuar para shumë vjetësh.

- Po, - tha plaku me ironi, - është këngë greke, aq sa është grek edhe Leka i Madh.

(…)

- Gjërat që ju tregova i kanë ndodhur një shqiptari të bajrakut të Malit të Sharrit, - tha plaku. –Këtë këngë e kanë kënduar malësorët që nga ditët kur ka ndodhur e deri në ditët e babait tim. Grekët kanë qenë njerëz të vegjël, kureshtarë, që loznin me letër dhe me shkrola, që kur ia behën në brigjet tona me barka, shumë moti, qindra e qindra vjet para se të vinin romakët. Ne u dhamë strehë, i lamë të vinin në brigjet tona dhe ata janë mysafirë që vjedhin mikpritësin. Ata kanë vrarë popullin tonë; ata kanë marrë Janinën. Le të na i lënë këngët dhe mbretërit tanë të qetë. Grek!, - tha ai duke mërmëritur. Së shpejti do të na e kërkojnë edhe Malin e Shoshit!”(Rose Wilder Lane, Majat e Shalës, 1923, 138-139)

Nga libri në shtyp "Pesha e komunikimit", Prishtinë -Tiranë, 2007

Kthehu ne fillim

--------------------------------

DIMENSIONI KOMBËTAR DHE KRIJUES I JUSUF GËRVALLËS

 Mr. sc. Myrvete DRESHAJ - BALIU

Prishtinë, janar 2007

E nisëm veprimtarinë tonë për Jusuf Gërvallën këtu në Deçan, gati dy dekada më parë, së pari si aktivitet kombëtar dhe së dyti si aktivitet kulturor, sepse për këto dy premisa na jepte mundësi qasjeje veprimtaria e Jusufit dhe e bashkëmendimtarëve të tij Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Biografia e tyre më së miri reflektonte gjeninë e krijuesit dhe ashpërsinë e konfliktit të tij me pushtuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda vete . Çka të thuhet sot për Jusufin 25 vjet pas vrasjes? Për jetën dhe veprën e tij, para dhe sidomos pas vrasjes, një numër i studiuesve dhe kritikëve shqiptarë kanë botuar tekste publicistike, studime dhe vëllime në trajtën e monografive. Tekstet e tyre zakonisht kanë pasur karakterin e vlerësimeve e rivlerësimeve letrare e historike, si dhe vendosjen e veprës së tij në kontinuitetin e letrave shqipe. Qëllimi ynë është, që në rrjedhat e këtij kontinuiteti historiko-letrar, shpesh të prishur me kritere jashtëletrare, të shohim Jusuf Gërvallën, me një qasje që është e zakonshme në jubilarët e veçantë të tij.

I

Dimensioni i parë ka të bëjë me trashëgiminë, përkatësisht me familjen , e cila ka pasur ndikim të rëndësishëm në ndërtimin etnofilozofik të tij, për të vazhduar më tej me përmasat e tjera: përgatitjen arsimore, kulturore, shkencore, intelektuale dhe politike. Deri më tash është vlerësuar veprimtaria e tij atdhetare, si pjesëtar i lëvizjes historike për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila lidh momente të caktuara historike të lëvizjes kombëtare të vitit ’68 me vitin e madh ’81. Angazhimi i tij e ka çuar përpara dhe e ka plotësuar lëvizjen me intelektualë të kohës, për të cilët ajo kishte nevojë, sidomos pas rënies së tretë në burg të Adem Demaçit . Por, emri dhe vepra e tij, në lëvizjen kombëtare dhe në kulturën e letërsinë shqiptare marrin përmasa të reja veçanërisht pas vrasjes së tij. Kështu, historia e vrasjes së tij, konceptet politike dhe vepra e botuar apo e lënë në dorëshkrim, do të përplotësojnë njëra-tjetrën, sa me përmasat kulturore e historike të angazhimit të tij politik, aq edhe me vlerat letrare e estetike të shkrimit, interpretimit, përkthimit etj. 

Atdhetari dhe krijuesi Jusuf Gërvalla

II

Dimension në vete, nga shkrimet e botuara gjer tash, ka paraqitur krijimtaria letrare e tij, poezia: përmbledhjet poetike, “Fluturojnë e bien’’, “Kanjushë e verdhë”, “Shenjat e shenjta” dhe proza: romani “Rrotull”, ndërsa ne sot këtij dimensioni i shtojmë në të njëjtën përmasë edhe publicistikën, më saktë esenë politike, por pa e lënë mënjanë edhe tekstin dramatik.

1. Poezia

Jusuf Gërvalla i takon brezit të tretë të krijuesve të poezisë së sotme shqipe. Në këtë brez Jusuf Gërvalla, sikur edhe pak krijues të artit poetik, do të hyjë jo thjesht si krijues i artit letrar, por edhe si individualitet me prirje të shumanshme kulturore e intelektuale. Prandaj, në rrethet kulturore në përgjithësi dhe në ato letrare në veçanti, Jusuf Gërvalla është krijues i pranuar në shumë fusha: poet, prozator, përkthyes, publicist, interpretues. Është koha kur ky brez, ndryshe nga brezi i mëparshëm, hulumton në mënyrë individuale temat, idetë e gjuhën poetike, duke përmbysur rregullat e ngurta në mes përmbajtjes dhe formës. Përgjithësisht, është koha kur bashkekzistojnë forma dhe veçanti stilesh artistike, që krijuesit i hulumtojnë dhe i artikulojnë në mënyrë individuale, duke e begatuar procesin e shkrimit poetik me vepra origjinale e vlera të vërteta artistike. Krijuesit e këtij rrethi, kush më shumë e kush më pak, do të bëjnë eksperimente edhe të modës, ndërsa Jusuf Gërvalla nuk do të ngutet dhe me më vështirësi do të hyjë në këto aventura letrare dhe intelektuale. Ai ishte krijues që kishte mundësi më të mira se shumë krijues të tjerë për të eksperimentuar (ishte intelektual i pajisur me dije të përgjithshme dhe të veçanta), por nuk u dha pas tyre. Kjo është arsyeja pse ai, për një kohë, nuk do të arrijë që me poezinë e tij, të pranohet tërësisht si krijues i mirëfilltë. Në qoftë se me veprën e parë “Fluturojnë e bien” ai riaktualizon poezinë e kujtimeve të fëmijërisë me tërë toposet e vendlindjes, tashmë të njohur mjaft realizueshëm nga Martin Camaj e Azem Shkreli, por që tërheq vëmendjen e kritikës së kohës, në veprën tjetër “Kanjushë e verdhë”, ai arrin ta tejkalojë të parën edhe me gjerësinë e temave të reja edhe me artikulimin e tyre poetik. Ndërsa në vëllimin e tretë poetik “Shenjat e shenjta”(1979), opusi i poezisë së tij pasurohet edhe me elemente të sforcuara të lirikës personale, intime dhe të ironisë. Rëndësia e veprës së Jusuf Gërvallës në këtë brez vlerësohet si për ngulmimin e tij për të vazhduar kërkimin e temave nga bota e kujtimeve të fëmijërisë dhe mjedisi i vendlindjes, ashtu edhe për format e reagimit poetik ndaj këtij totaliteti jetësor. Bazë të krijimtarisë së tij poetike ai kishte përvojën dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, si dhe vlerat letrare të letërsisë evropiane e latino-amerikane, të cilën herë pas here e përkthente edhe vetë. Këtu rritej mundësia e bartjes artistike të përvojës jetësore dhe njohja me format më të pasura të realizimit të saj artistik. Poezia e Jusuf Gërvallës është një rrëfim lirik që niset nga frymëzimi sublim, real e i prekshëm, për të krijuar më tej tërësi kuptimore të strukturës poetike të saj. Gati i gjithë teksti poetik i kësaj poezie ndërtohet si rrëfimin subjektiv, po që sintetizon reflekse semantike, si në perceptimin e rrafshit të simboleve personale, ashtu edhe në rrafshin e shenjave kolektive: Nënës, përkatësisht Shtëpisë dhe Vendlindjes përkatësisht Atdheut. E megjithatë, poezia e tij në rrafshin tematik është e gjerë, ajo bartë esencat e universit letrar të letërsisë bashkëkohore shqipe. Në rrafshin e ideve është e pasur, ka palcën e shenjës kombëtare, jo si retorikë a patetikë, po si burim origjine. Në rrafshin emocional është medituese dhe e hapur, e përjetuar thellë dhe natyrshëm nga një shpirt i ndjeshëm lirik. Në rrafshin estetik reflekton shprehshmëri të vazhdueshme semantike, pa përpjekje për estetizim dhe hermetizim të saj, por me një kuptimsim metaforik më të hapur e krijim simbolesh vetjake e të rikuptimsuara .

2. Romani

Romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës , i shkruar dhe i përfunduar për të gjallë të tij, por i botuar vetëm pas vrasjes(1983) , paraqet një zhanër shkrimi që sjell elemente të reja e origjinale në lëmin e ligjërimit romanor. Ai sjell risi, sidomos, për mënyrën dhe organizimin e rrëfimit, për rolin e rrëfyesit, për procedimin e ligjërimit, për pasurinë gjuhësore dhe për elementet etnografike, të cilat ndërtohen mbi gjuhën e mjedisit. Edhe vetë titulli i romanit “Rrotull” mëton të shenjojë formën e ndërtimit dhe zhanrin e shkrimit. I gjithë romani “Rrotull” sjell një sistem shenjash, ku rrafshi i gjuhës së rrëfimit përligjëson strukturën e ndërtimit të brendshëm kuptimor (të ndërtimit të temës, të ideve, të ngjarjeve, të veprimeve të personazheve dhe të vetë fatit të heroit), si dhe formën e ligjërimit (të ndërtimit të një sistemi të veçantë komunikimi artistik), ku shenja (të folurit figurativ popullor ose me rrotulla, siç thuhet në Dukagjin), ngrihet në strukturë letrare të shkrimit. Përmes një fabule të thjeshtë, sikurse në përrallën popullore kodifikohen nyjat e rrëfimit të ngjarjes, rreth së cilave zënë e thuren ndodhitë njëra pas tjetrës, shtresohen përmasat e zhvillimit të një mjedisi dhe shpalosjet e gjendjeve të brendshme psikologjike të personazheve. Emërtimi i veprës, më në fund, ka të bëjë edhe me personazhin kryesor të romanit, Ketë Avdinë, jeta e të cilit ndërtohet dhe bartet në hapësirë dhe në kohë, herë si figurë e përrallës, herë si njeri i zakonshëm, e herë si hero i zhvillimeve historike në një mjedis të caktuar e më gjerë. Këtij personazhi, që sigurisht, na del më shumë i formësuar se sa të tjerët, sikur i japin të gjithë diçka nga vetja, për ta ngritur në shenjë-figurë, i cili pastaj bëhet bartës i dramave të tyre të brendshme shpirtërore dhe lidhës i fijeve të rrëfimit tekstor. Krijimi i episodeve dhe tablove të veçanta, që realizohen bukur në këtë roman, kanë një vendosje kompozicionale të lirë, dhe dalin me situata të papritura, herë të reales e herë të ireales. Kjo strukturë e poetikës së romanit përplotësohet, jo përmes tablove të gjera epike të ngjarjeve të mëdha historike, por përmes ngjarjeve e ndodhive krejt të përditshme, nga rrjedhin situata të përgjithshme jetësore, si varfëria, kurbeti, vetmia, mendësitë e vjetra, thashethemet, apo edhe shpërthimet emocionale, frustrimet e rebelimet. Romanin e karakterizon shpalimi i botës së brendshme të personazheve me një lidhje të thellë me mjedisin, që realizohen përmes monologëve e dialogëve karakteristikë, kapërcimeve dhe ndërhyrjeve të pasura, pehatjeve shpirtërore lirike me nuanca filozofike, ku reflekset e fjalëve e frazeologjizmave, fjalive e ligjëratave, pothuaj përherë na sjellin në fokus diskursin e tij të krijimit romanor. Që të gjitha këto elemente barten herë nga narratori e herë nga personazhet, si përpjekje e suksesshme për të forcuar kompozicionin tematik, në gjetjen e shtigjeve dalëse nga amullia e mjedisit që i rrethon personazhet, prandaj heronjtë dhe situatat sillen dhe zhvillohen në lëvizje të pashmangshme - rrethore.

3. Drama

Drama “Procesi” e Jusuf Gërvallës është vepra e fundit, e shkruar në rrethana të veçanta historike, jetësore, intelektuale dhe politike, e cila përbën një tërësi personazhesh tipike, të ndërtuar për qëllime pragmatike. Ajo artikulon ngjarje konkrete të ndodhura atyre ditëve në Kosovë, e të ndërtuara mbi proceset gjyqësore-politike, pothuajse të përditshme, që kryheshin kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi. I tërë procesi është mbështetur kryesisht në një fakt: mënyrën e gjykimit të veprimtarëve të Lëvizjes ilegale pas demonstratave të vitit 1981, të cilat reflektuan një reagim historik të kujtesës kombëtare të shqiptarëve për çlirim jo vetëm kombëtar, por sikur del këtu edhe social, politik e ideologjik. Drama ka një ndërtim skematik në modelin e trakteve dhe pamfleteve politike të kohës. Ajo edhe është shkruar për të përmbushur pikërisht ato synime. E veçanta e kësaj drame theksohet sidomos për faktin se është shkruar nga krijuesi me vizion dhe me rezultate të arrira në fushë të letërsisë, që deri atëherë e kishte mbajtur të ndarë pikëpamjen politike të tij me konceptin e krijimit letrar.

III

Dimensionin e tretë të jetës dhe veprës së Jusuf Gërvallës e paraqet publicistika, një fushë e realizuar kryesisht në shtypin ilegal të kohës. Ajo është pjesa më e sipërshfaqur ku pikëtakohen jeta dhe vepra e Jusufit në ‘misionin’ e përbashkët kombëtar dhe estetik të tyre. Mirëpo, ende mbetet e panjohur një pjesë e shkrimeve të kësaj natyre (kryesisht esetë politike të botuara në shtypin ilegal të Kosovës apo të Perëndimit), sikur edhe e disa prozave dhe reportazheve të shpërndara në shtypin ditor të Prishtinës e të Shkupit . Estetë e tij politike për sistemin kolonizues të Beogradit mbi Kosovën, portretizimi plotë ironi i Titos, vlerësimet politike për ngjarjet e vitit 1981 dhe sidomos paraqitja sarkastike e disa prej figurave politike të kësaj kohe nga radhët e shqiptarëve, edhe sot mbeten të pakrahasueshme në letrat shqipe .

Le të përfundojmë

Jusuf Gërvalla është figurë e rëndësishme e veprimtarisë politike kombëtare, pa të cilin është vështirë të ndërtohet sinteza programore e lëvizjes politike të shekullit XX. Ai është intelektuali që ka lënë gjurmë në fusha të shumta të artit, si: letrar, përkthyes , publicist, kompozitor e artist , të cilin e ndërpreu fati historik kombëtar. Ai është poeti e prozatori, që u formua në gjirin e kulturës kombëtare dhe nën ndikimin e krijuesve të mëdhenj botërorë. Ai është modeli i së djeshmes që mund të bëhet shembull i së ardhmes.

---------------------

Shënime dhe referenca

1.Shih, Kadri Rexha, Fati i luleve – Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Ndërmarrja botuese “Buzuku”, Prishtinë, 1993, f. 132. Biografisë së tij më gjerësisht i jam qasur në tezën e magjistraturës “Jusuf Gërvalla - jeta dhe vepra” (punim magjistrature), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Letërsisë, Prishtinë, 2002.

2.Shih, studimi Jusuf Gërvalla, ideologu i lëvizjes ilegale, në veprën “Konteksti i shkrimit”, Era, Prishtinë, 2004, f. 109-120; Hakif Bajrami, Politika e rikolonizimit serb të Kosovës me sllavë 1945-1948, “Era”, Prishtinë, 2002; Faridin Tafallari, Terror, dhimbje, qëndresë (Kujtime, dokumentacion, korrespondencë), Botim i autorit, Tiranë, 1997, f. 326; Shih, Xhafer Shatri, www. pasqyra.com.

3.Shih Ethem Çeku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, “Brezi ’81”, Prishtinë, 2003 dhe Struktura politike e ilegales së Kosovës, “Argeta-LMG”, Tiranë, 2006.

3.Shih, vëllimet me poezi të Jusuf Gërvallës: • Fluturojnë e bien. Biblioteka: Sofra, Redaktor: Anton Pashku, Recensentë: Azem Shkreli, Fahredin Gunga. Kopërtinën e punoi Blerim Luzha, “Rilindja”, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1975, f. 71. • Kanjushë e verdhë. Biblioteka: Drita; Redaktor: Anton Pashku; Recensentë: Azem Shkreli dhe Eqrem Basha, Lektor: Riza Bicaj. Kopertinën e punoi: Rexhep Ferri. Korrektor: Nezir Selmani. “Rilindja”, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1978, f. 87. • Shenjat e shenjta. Biblioteka “Valët”. Redaktor: Resul Shabani; Recensentë: Qerim Ujkani dhe Shaip Beqiri; Kopertinën: Aleksandër Kuzmanovski. “Flaka e Vëllazërimit”, Shkup, 1979, f. 66. • Bekimi i nënës, poezi të zgjedhura. Përgatitur nga Ramazan Vozga e Pandeli Koçi. Libri hapet me një tekst hyrës, pa autor. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1982. • VEPRA LETRARE. Parathënia: Dr. Sabri Hamiti. Veprat: Fluturojnë e bien, Kanjushë e verdhë, Shenjat e shenjta, Rrotull, Procesi, Botoi “Ora”, Prishtinë, 1992.

5.Kritikat e para për poezinë e Jusuf Gërvallës i kanë shkruar: Ali Aliu, Dy poetë që vijnë (1. Jusuf Gërvalla “Fluturojnë e bien”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 6 qershor 1976, f. 17; Rrjedha dhe gjenerata në prozën tonë, “Jeta e re”, nr. 6, Prishtinë, 1974, f. 1088; Shih edhe Shaip Beqiri, Duke kërkuar qeshjen e një poezie, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 21 tetor 1978, f. 11, 12, 13, 14; Emin Kabashi, Gjeografia e kuptimit poetik (J. Gërvalla, Kanjushë e verdhë, Rilindja, 1979), “Fjala”, nr. 21, Prishtinë, 1 dhjetor 1979, f. 6; Teki Dervishi, Dy Jusuf Gërvalla, “Zëri”, Prishtinë, 18. 1. 1992, f. 45; Flatra dhe nëntokë, (Sivjet u botua libri i poezive të Jusuf Gërvallës “Fluturojnë e bijnë”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 21 dhjetor 1975, f. 20; Jeta e episodeve tragjike, “Zëri”, Prishtinë, 18. 1. 1992, f. 32; Sylejman Syla, Poezi shfryrjesh të sinqerta, (J. Gërvalla, Fluturojnë e bien, “Rilindja” Prishtinë, 1975), -“Fjala”, nr. 4, 1976, Prishtinë, f. 5; Mehmet Kraja, Poezi frymëzimi, (“Kanjushë e verdhë”), “Rilindja”, Prishtinë, 19. 8. 1978, f. 15; Bajram Sefaj, Shkurt. Poezi! (fjalë rasti, mbi poezinë e J. Gërvallës, duke shfletuar përmbledhjen e parë Fluturojnë e bien), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 21 shtator 1973, f. 11; Xhemail Mustafa, Imazhi asociativ, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 12 gusht 1978, f. 12; Kadri Rexha, Këto këngët e mia janë zë i butë i fushës, “Rilindja”, Prishtinë, 15. 9. 1979, f. 13. Pas vdekjes së Jusuf Gërvallës, mendimin e tyre vlerësues tash jo vetëm për poezinë, por edhe për romanin dhe dramën i kanë shfaqur edhe kritikët: Pandeli Koçi, Poezi që buron nga zemra (Shënime për librin Bekimi i nënës të Jusuf Gërvallës); Ramazan Vozga, Zë origjinal, me botë të gjerë poetike (Vëllimi “Bekimi i nënës”, i J. Gërvallës), “Drita”, Tiranë, 6 mars 1983, f. 6; Sabri Hamiti, Bisedë me Jusufin (fragment), “Rilindja”, Prishtinë, 19 janar 2002, f. 20-21; Myrvete Dreshaj-Baliu, Poetika e veprës së Jusuf Gërvallës (studim monografik), “Zëri i Kosovës”, (gjashtë vazhdime), korrik-shtator, Cyrih, Zvicër, 1995; Portretet (Jusuf Gërvalla), “Shpresa”, nr. 1, Prishtinë, 1995; Vendlindja, muzë e këngës, “Bujku”, qershor 1994.

6.Jusuf Gërvalla, Rrotull, roman, Shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë 1983. Parathënia: Ismail Kadare, f. 127.

7.Shih, Pandeli Koçi, Romani Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Zëri i popullit”, Tiranë, 18. 1. 1984; Lumira Berati, Romani Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Pishtarët e lirisë”, Tiranë 1992 f, 39; Sabri Hamiti, Vrasja e poetit, në “Tema shqiptare”, Rilindja, Prishtinë, 1993, f. 110-115.

8.Jusuf Gërvalla, Procesi, (dramë), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1993; Procesi, (dramë), Gjilan, 2002. Shih edhe vlerësimet mjaft kontradiktore për dramën, deri në vënien në dyshim të autorësisë së saj: Mehmet Kraja, Midis idealit politik dhe vokacionit krijues, “Fjala”, Prishtinë, qershor 1992, f. 11; dhe Rreth veprës së Jusuf Gërvallës, “Rilindja”, Prishtinë, 27 qershor 1992, f. 7.

9.Më parë se në shkrimet e botuara në shtypin ilegal, konceptet njëherë sociale e pastaj edhe politike i ka shprehur në reportazhet e botuara te të përditshmet e Prishtinës dhe të Shkupit, “Rilindja” dhe “Flaka e vëllazërimit”. Shih reportazhet: Shoku im s’mund të mësoj më, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 24. 9. 1971, f. 12; Ky s’është përgojim, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 16. 4. 1971, f. 13; Edhe bilbili e fle natën, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 24. 9. 1971, f. 12; Djaloshi i hajthëm, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 10 shtator 1971, f. 12; Me kompleksin e Anteut?, “Jehona”, Shkup, nr. 3, 1972, f. 31-35; Me kompleksin e Anteut?, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 11 janar 1972, f. 12.

10.Disa vjet më parë kërkimet e mia në këtë fushë të gjenisë së tij letrare i kam përmbledhur nën titullin e përbashkët Ik o natë, po këndon agimi, një vëllim që nuk botua, i cili kujtoj, përfaqëson modelin e reflektimit intelektual të tij.

11.Danillo Kish, Klepsidra, Redaksia e botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1979; dhe Shënimet e një të krisuri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 11 janar 1976, f. 19; Imazhe nga udhëtimet (fragment). “Rilindja”, Prishtinë, 14. 12. 1975, f. 10; Mesha Selimoviq, Rropatja në tokën tënde, vdekja në dhe të huaj. “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 2 nëntor 1975, f. 18-19; dhe Beqir Toska (fragment nga romani “Kështjella”), “Jehona”, nr. 1, Shkup, 1977, f. 49-57; Ciril Zlobec, Amshimi im i shkurtër, Prishtinë, 1978; Të përshëndes mëkat, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 30, 31 dhjetor 1978 – 1, 2 janar 1979 f. 24. Poezi: Qetësia, Vetmia, Amshimi im i shkurtër. “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 14 tetor 1978, f. 13; Marko Kravos, Ngushllim, “Rilindja”, Prishtinë, 25. 9. 1977, f. 11; Zhivko Çingo, Sëmundja e Atanas Ivanovskit, “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 11. 4. 1971, f. 17; Platoni, Shpifësit e mi janë dy faresh, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 15 korrik 1973, f. 10; Miguel Anhel Asturias, Legjenda e Guatemalës, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, 144 faqe; Legjenda e Kademos, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 2 shtator 1978, f. 14-15; Franc Kafka, Meditime, “Bota e re”, Prishtinë, 14. 10. 1974, f. 14-15; Franc Kafka, Procesi “Rilindja”, Prishtinë, 19 janar 2002, f 19; Xhems Xhojs, Uilsi, “Bota e re”, Prishtinë, 13. 10. 1974, f. 14-15; Ernest Heminguej, Dielli lind përsëri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 16-17 nëntor 1975, f. 11; Aziz Nesin, Fikri beu, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 14 maj 1972, f. 17; E tillë ishte jeta ime letrare. Nathalie Sarraute (Nathalie Saro) në një bisedë me shkrimtarët dhe kritikët frëng, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 12. 4. 1972, f. 15; Cassar Leante, Letërsia e sotme kubaneze, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 12 maj 1972, f. 14.

12.Shih artikujt e Jusuf Gërvallës në fushë të muzikës: Tekstet e melodive t’ia përshtatim realitetit tonë, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 12. 1976, f. 12; Për një manifestim të dobishëm muzikor, “Rilindja”, Prishtinë, 14. 9. 1976, f. 10; Problem është mënyra, ndoshta, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 9. 1976, f. 10; Prezantim që ka mundur të jetë më i suksesshëm, “Rilindja”, Prishtinë, 23. 2. 1975, f. 11; Pietet ndaj jetës, punës dhe moralit të ri, “Rilindja”, Prishtinë, 20. 4. 1979, f. 16; Të shijojmë të gjithë pemët e rralla, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1. 8. 1971, f. 16, si dhe vlerësimet e studiuesve më pas, për kontributin e tij në këtë fushë: Pandi Bella, Jusuf Gërvalla si adhurues i tingujve, “Pishtarët e lirisë”, Tiranë, 1992 f, 49; Rafet Rudi, Simbiozë e sensibilitetit të poetit dhe muziktarit, “Forumi”, nr. 14, Prishtinë, 21. 2. 1994, f. 14.

Kthehu ne fillim
 

 

 

powered by Beepworld