Në 47 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit

 

BEHAJDIN ALLAQI - UDHËHEQËS ME KUALITETE TË LARTA INTELEKTUALE, POLITIKE E ATDHETARE

 

 

Shkruan: Ramadan Avdiu

 

     Behajdin Allaqin për herë të parë e kam takuar në shtator të vitit 1989 në Prishtinë. Ai në veprimtarinë e organizuar klandestine ka vepruar me emrin konspirativ „BESIMI“. Kohën se kur ka filluar veprimtarinë e organizuar nuk e di saktësisht, mbase gjatë kohës sa unë kam qenë në burg në vitet 80’ta.

     Në Konferencën e parë të OMLK’së të mbajtur në mars të vitit 1989 ku kanë marrë pjesë edhe: Afrim Zhitija, Fadil Vata, Ali Ahmeti, Hajdin Abazi, Bardhyl Mahmuti, Behajdin Allaqi, Binak Berisha etj., Behajdini është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues. Komiteti Drejtues ka zgjedhur sekretariatin prej tre vetash: Fadil Vata - Sekretar Politik, Afrim Zhitija - Sekretar Organizativ dhe Behajdin Allaqi - anëtar.

( 07. 04. 1963 - ?. 06. 1998 )

 

     Pas arrestimit në shtator të vitit 1989 të Shaban Mujës, Bekim Krasniqit, Agron Shalës, Fexhrije Bilallit, Afërdita Veliut (asnjëri nga këta nuk e kanë njohur Behajdinin) Afrimi dhe Fadili kanë kaluar në ilegalitet të thellë. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore për Fadil Vatën ëshët marrë vendim që të del jashtë vendit, të shkojë në Zvicër për t’u shëruar në radhë të parë (Fadili vuante nga kanceri dhe si pasojë nga kjo sëmundje ka vdekur me 25 prill 1990 në spitalin e Bazelit në Zvicër).

     Ndërsa Afrimi ka qëndruar në Kosovë për të ndihmuar procesin e ristrukturimit të Organizimit, sepse planifikohej përqëndrimi i të gjitha lidhjeve në duart e Sektorit të lidhjembajtjes dhe të Sekretariatit por edhe ndërrimi gradual i kuadrove të Komitetit Drejtues. Me kalimin e Fadilit në Zvicër në Komitetin Drejtues jam kooptuar unë Ramadan Avdiu dhe pastaj edhe në Sekretariat.

     Rrethanat e krijuara në organizim pas rënies heroike të dëshmorëve Afrim Zhitija dhe Fahri Fazliu e kanë vështirësuar shumë shkallën e organizimit. Por meqë kishim pasur rastin të mbajmë një Mbledhje të Komitetit Drejtues në Banesë të Binak Berishës - „ADILIT“ dhe të njihemi më shumë, shpejt jemi takuar dhe kemi vazhduar veprimtarinë. Qendra kryesore e vazhdimit të veprimtarisë ishte PRIZRENI për shkak të Behajdinit, sepse konsideronim se ai nuk duhet të lëviz shumë për shkak të shkallës së rrezikut të dekonspirimit dhe përgjegjësisë që kishte në hierarkin organizative.

     Në muajin Nëntor 1989, disa ditë pas vrasjes së Afrimit është mbajtur Mbledhja e Komitetit Drejtues në Prizren dhe është lëshuar një PROKLAMATË e LPRK’së, autor i së cilës ishte Behajdini, ku bëhej THIRRJE ndër të tjera për vazhdimin e REZISTENCËS.

     Të gjitha protestat që u organizuan në dy muajt e fundit të vitit 1989 dhe dy muajt e parë të vitit 1990 janë organizuar nga LPRK, kurse në Prizren organizatori kryesor i tyre ka qenë Behajdin Allaqi. Edhe në rrafshin e organizimit në nivel të Kosovës, të hartimit të planit operativ, strategjisë politike, politikave të veprimit dhe hartimit të dokumenteve, Behajdini ka luajtur një rol kyq. Asnjë dokument i Lëvizjes në këtë kohë nuk është lëshuar dhe nuk është bërë publik pa u konsultuar Behajdini.

Afrim Zhitija, Behajdin Allaqi dhe Fadil Vata

 

      Në kohën e vlugut të organizimit klandestin dhe të rezistencës bëhen edhe ndryshimet e mëdha në vendet e lindjes dhe në Kosovë fillon organizimi legal i partive politike. Behajdini është organizuar edhe në këtë drejtim dhe është njëri nga themeluesit e Degës së LDK’së për Prizrenin.

     Dekonspirimet e para për Behajdinin si veprimtar dhe një prej udhëheqësve të organizimit të LPRK’së, jo vetëm për Rrethin e Prizrenit por në nivel të Kosovës vinë pikërisht në kohën kur është dashur të zgjedhet kryesia e degës së LDK’së për Prizrenin, për shkak se Behajdini ka qenë kandidati më potencial për t’u zgjedhur në krye të këtij organizimi, përkundër faktit se nuk ka qenë i interesuar, sepse interesimi i tij ishte të ndihmojë procesin e shkatërrimit të LKJ’së përmes formimit të degës së LDK’së në njërën anë, dhe të forcoj organizimin klandestin në anën tjetër.

     Në gjysmën e dytë të vitit 1990 Komiteti Drejtues do të distancohet nga veprimtaria e Mentor Kaçit dhe Behajdini do të jetë ai i cili më së shumti do të ballafaqohet me bartësit e tentativës për të ndërtuar një strukturë të re ilegale „Frontin e Rezistencës“.

     Behajdini ka marrë pjesë në organizimin e mbledhjeve konsultative në janar të vitit 1991 në Prishtinë, ku është vendosur që të mbahet Konferenca e dytë e radhëve të organizuara ilegale dhe ku do të mirren vendime për shkëputjen nga çdo ngjyrim ideologjik.

     Konferenca e dytë është mbajtur në shkurt të vitit 1991 në Prapashticë (fshat afër Prishtinës) ku Behjadini do do të merr pjesë dhe do të jetë anëtar i Komisionit për hartimin e rezolucioneve të mbledhjes. Për shkak të angazhimit të shumtë dhe veprimtarisë së dendur Behajdini kërkon që të mos zgjedhet drejtpërdrejtë në Organin Drejtues në nivel të Kosovës por, të vazhdoj veprimtarinë në kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e organizatës dhe të përqëndrohet në forcimin e radhëve në rrafshin organizatv në Prizren, por edhe në komunat për rreth, e sidomos në Sharr, Rahovec dhe Therandë.

     Gjatë gjithë vitit 1991 Behajdini ka punuar në rrafshin teorik dhe ka afruar projekte dhe propozime për veprimtari të LPRK në nivel të Kosovës. Nga gjysma e dytë e vitit 1991 kanë filluar përgatitjet për organizimin e Mbledhjes së tretë të Përgjithshme të LPRK’së. Behajdini nga dita kur është vendosur të mbahet kjo mbledhje ka qenë i kyqur në procesin e përgatitjes së Mbledhjes. Mbledhja e tretë e LPRK’së është mbajtur në fshatin Ujëmir - afër Klinës (në tetor 1991 - Sh.B) ku Behajdini do të jep kontribut të çmueshëm, si për organizimin ashtu edhe për mbarëvajtjen e mbledhjes.

 

Programi dhe dokumente tjera te LPK

 

     Behajdini edhe pas Mbledhjes së tretë  të LPRK’së ka vazhduar veprimtarinë me të njejtin intenzitet, por me kërkesën e tij dhe të rrethit të Prizrenit ai ka kontaktuar me rrethet e organizuara vetëm kur ka qenë e domosdoshme ngase për shkaqe sigurie i kishte reduktuar lëvizjet e dendura. Disa herë pas mbledhjes se tretë me Behajdinin kemi shkuar në Shqipëri ku jemi konsultur me shokët nga jashtë vendit, me autoritetet e shtetit shqiptar dhe me shokët të organizuar në rrethet e Repuplikës së Maqedonisë.

     Një takim në Shqipëri është mbajtur edhe në janar të vitit 1993 ku është vendosur të mbahet një mbledhja konsultative e LPRK’së, ku do të hartoheshin strategji të reja veprimi në përputhje me situatat e krijuara në trojet e okupuara shqiptare. Mbledhja është përgatitur dhe është mbajtur (në prill 1993 - Sh.B) në Kollare (fshat afër Kërçovës) ku Behajdini ka marrë pjesë dhe ka kontribuar shumë në organizimin e saj.

Mbledhja konsultative e Kollares

Prill, 1993, Kollare, Kërçovë. Mbahet mbledhja konsultative e LPK-së. Marrin pjesë: Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Beajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana,  Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori etj. Në këtë takim u lëshuan rezolucionet sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtusve. Githashtu u krijua Grupi i Organizimit të Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme i përbërë nga Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi. (Marrë nga Historiku i LPK’së 1982-2002 - Sh.B)

     Zakonisht para mbledhjeve në nivel të të gjithë organizatës Behajdini kyqej dhe merrte pjese edhe nëpër mbledhjet paraprake të rretheve, ku interesohej drejtëpërdrejtë për mendimet dhe vizionet e anëtarësisë së gjërë, dhe pastaj mbi bazën e diskutimeve hartoheshin edhe politikat e veprimit që i propozoheshin mbledhjes për aprovim. Një prej vendimeve të mbledhjes konsutative ishte krijimi i grupit për organizimin e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme  të LPRK’së. Ky grup ka mbajtur lidhje dhe ka zhvilluar konsulta të vazhdushme me Behajdinin. Mbledhja e katërt është mbajtur në Prishtinë më 26-27 korrik 1993.

     Duke qenë se në Kosovë ishte zhvilluar aktivitet jashtëzakonisht i dendur çlirimtar dhe se po përgatitej një fazë e re e veprimit me strategji të re duke i dhënë prioritet strukturimit dhe krijimit të oranizimit ushtarak, aksionet çlirimtare për të asgjësuar pjestarë të aparatit represiv të okupatorit kishin filluar: UDB’ja u vu në aksion për zbulim dhe arrestim të veprimtarëve dhe bartësve të këtij organizimi.

     Pas arrestimit të disa anëtarëve të LKÇK’së  më 27 korrik 1993 do të pasoj edhe një goditje e rëndë për LPRK’në, kur më 2 gusht 1989 u arrestuan disa veprimtarë të dalluar LPRK’së, në mesin e të cilëve edhe Behajdini. Të njejtën ditë janë arrestuar edhe disa veprimtarë të tjerë, jo vetëm në rrethin Prizrenit por në shumë anë të Kosovës. Po atë ditë janë kërkuar të arrestohen edhe shumë të tjerë në mesin e të cilëve edhe unë - Ramadan Avdiu. Meqë policia pushtuese nuk ia doli të më arrestojë deri në tetor kam jetuar në ilegalitet të thellë pastaj kam kaluar në Zvicër.

     Për herë të fundit Behjadinin e kam takuar dy ditë para mbajtjes së mbledhjes së katërt të Përgjithshme me 24 korrik 1993, kurse pas daljes së tij nga burgu kam biseduar disa herë në telefon.

      Si Përfundim:

     Me një fjalë mund të them se Behajdin Allaqi ishte veprimtar i devotshëm, strateg dhe mendimtar politik, organizator i shkathët me guxim të madh. Kontributi i Behajdinit është i jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe forcimin e LPRK’së në kohën më të ndieshme kur ajo u godit rëndë me vrasje të anëtarëve dhe me arratisje të disa të tjerëve, pastaj në kohën kur po bëheshin ndyrshime të mëdha në vendet e lindjes dhe kur në Kosovë po lindnin organizime partiake legale, të cilat ndikuan dukshëm në uljen e intenzitetit të rezistencës aktive.Sot Behajdini renditet në radhën e plejadës së dëshmorëve të kombit, që gjithë jetën e tyre e kanë vënë në shërbim të luftës për liri të popullit dhe zë vend meritor në historinë më të re të popullit shqiptar, si një veprimtar dhe udhëheqës me kualitete të larta intelektuale politike e atdhetare.

Lavdi jetës, emrit dhe verprimtarisë së dëshmorit Behjadin Allaqi!

 

 

Behajdin Allaqi, një nga ideatorët e konceptit të qartë për çlirimin e Kosovës

 

RIKUIEM PËR LUFTËTARIN E LIRISË - BEHAJDIN ALLAQI

 

Shkruan: Binak BERISHA -  Kempten, 21. 06. 2007

 

     Behajdin Myrteza Allaqi u lind më 7 prill 1963 në Prizren. Rrjedh prej një familje me tradita kombëtare, e cila vazhdimisht ishte në sy të regjimeve pushtuese serbe. Në të tilla rrethana dhe frymë atdhetare u rrit edhe Behajdini. Shkollën fillore dhe atë të mesme (gjimnazin e përgjithshëm) i kreu në Prizren. Aktiviteti i tij patriotik zë fill qysh në bankat e shkollës së mesme, me pjesëmarrjen aktive në demonstratat gjithë popullore të pranverës së vitit 1981. Gjatë verës së vitit 1981, Behajdini me shokët e tij organizon aksione për shkrimin e parullave “Kosova Republikë”..., si në qytet ashtu edhe në disa fshatra të rrethit të Prizrenit. Në këto zhvillime aktiviteti i tij bie në sy të sahanlëpirësve të regjimit serb, dhe si pasojë disa herë merret në bisedë informative në zyrat e UDB-së, mirëpo në mungesë të fakteve do t´i shpëtoj burgosjes. Përkundër këtyre përjetimeve të hidhura, Behajdini nuk do ta ndalë dot për asnjë moment  aktivitetin e tij kombëtar.

     Behajdin Allaqi, në shtator të vitit 1981, pasi regjistrohet në Fakultetin Filozofik - Dega Filozofi, detyrohet të shkojë në shërbim ushtarak, në Zemun - Beograd. Gjatë shërbimit ushtarak, Behajdini ishte vënë në shënjestër të oficerëve të shërbimit sekret të ushtrisë jugosllave, dhe duke qenë nën masa të rrepta vëzhgimi e izolimi, atij do t´i pamundësohet kryerja e aktiviteteve të lira dhe kontaktet me ushtarët tjerë shqipëtar.

 

 

     Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Behajdini i vazhdon studimet në vitin akademik 1982/83, dhe në tetor të vitit 1986, i përfundon ato më sukses të lakmueshëm. Gjatë kohës së studimeve, Behajdini, krahas punës shkencore nuk do të ndalet së vepruari për çështje kombëtare. Asokohe ai bie në lidhje me anëtarë të lëvizjes ilegale që vepronin në Prishtinë dhe mëpastaj  do të vë kontakte edhe me anëtarë të organizatës që vepronin në Zvicër, veçanërisht me Fazli Veliun, ish-udhëheqësin e degës së LPRK-së që vepronte në perëndim.

     Pasi i përfundoj studimet, (në vitin 1986), Behajdini u punësua në gjimnazin e Prizrenit, si profesor i lëndëve sociologjike. Në këtë qendër arsimore Behajdini do të punojë së bashku me Prof.Xhemajli Berishën dhe kjo lidhje do të forcohet në drejtim të shtrirjes së aktivitetit në radhët e veprimtarëve në Prizren dhe rrethinë. Në këtë periudhë Behajdini me shokët e tij, do të përpiqen që të jenë tashmë pjesë e organizuar brenda strukturave të organizatës LPRK.

     Falë përkushtimit të tij të madh për çështjen kombëtare dhe besimit që krijoj në shumë rrethe të organizuara mirë në ilegalitet, arriti të zgjoi interesim të veçantë tek strukturat më të larta të LPRK-së. Në fillim të vitit 1988, ëndrra e Behajdinit me shokë, për tu kyqur në radhët e LPRK-së, u bë realitet. Pikërisht në kohën kur LPRK-ja do ta rrisë dukshëm aktivitetin saj, nëpërmes veprimtarëve të Lëvizjes nga Rrethi i Rahovecit, gjegjësisht përmes veprimtarit Ramush Krasniqi nga Brestoci (shokë i ngusht i Fadil Vatës), Behajdinit do t´i jepet rasti të provohet për detyra të mëdha në kuadër të LPRK-së.

     Behajdini, në takimin që pati me krerët Lëvizjes, të prirë nga Fadil Vata, do të dëshmojë cilësi të një luftëtari të paepur, aftësi e njohuri të gjera politike e organizative, shkathtësi e guxim të madh për të vepruar, në çfarë do kohe e rrethane. Ai, kyçjen në LPRK e konsideron si një mision të shejtë.

     Kështu, në Konferencën e parë që mbajti LPRK-ja, në Divjak të Berishës, ku merrnin pjesë përfaqësuesit kryesor të organizatës, siç ishin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Bardhyl Mahmuti, Binak Berisha, nga diaspora: Ali Ahmeti, Hajdin Abazi etj përveç tjerash do të vendoset që Behajdin Allaqi, si përfaqësues i Këshillit të Rrehtit të LPRK-së në Prizren, të kooptohet në Komitetin Drejtues të saj. Në mbledhjen e parë të radhës, (pas konferencës së parë), Behajdini ngarkohet me detyrën e Sekretarit  Politik të LPRK-së. Ardhja e Behajdinit në udhëqjen më të lartë të LPRK-së padyshim do të gëzonte të gjithë, por gëzimi më i madh do të reflektohet te Fadil Vata, i cili në një bisedë me Ramush Krasniqin, do të theksoj, me entuziazëm, se “Tani LPRK-ja është bërë me kokë”.

Pas vrasjes së Afrim Zhitisë dhe largimit të detyrueshëm të Fadil Vatës nga Kosova për në Zvicër për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore, gjatë viteve 1988-90 Behajdini do të bartë barrën kryesore të punëve organizative në Komitetin Drejtues. Nga këto goditje të marra, për shkaqe sigurie, me qëllim të ruajtjes se radhëve të organizuara të LPRK-së, Behajdini zhvendoset në Prizren ku me ndihmën e bashkëveprimtarëve gjithandej nëpër Kosovë, të familjes së ngusht dhe të gjerë (dajës Isuf me djemë, nipave në Krushe të Madhe ...), do të arrijë të mbajë kontinuitetin e veprimit aktiv të LPRK-së në tërë Kosovën.

     Detyra e Sekretarit Politik për Behajdinin, do jetë një rast i mirë për materializimin e njohurive të tija politike e organizative, dhe këto cilësi i dëshmojë gjatë punës në përgatitjen e shumë takimeve e mbledhjeve konsultative të niveleve të ndryshme. Kontributi i tij do të ndihet kudo e sidomos në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme në të gjitha forumet e Lëvizjes. Në arkivat e LPK-së ruhen shumë shkrime si: Pamflete, komunikata, proklamata dhe projektprograme, të lëshuara në periudhën  prej vitit 1988, 89 dhe në vitet 90-ta, në formulimin e të cilave roli i tij ka qenë shumë i madh. Mbi të gjitha, Behajdini me përkushtim ka punuar në përsosjen e Programit dhe Statutit të LPRK-së në frymën e rrethanave të kohës.

Puna e Behajdinit ëshët sprovuar edhe në prëgatitjen dhe organizimin e takimeve me rëndësi të veçantë për LPRK-në, siç ishin takimet dhe mbledhjet parapërgatitore, e në veçanti  Konferenca e dytë e Lëvizjes, mbajtur në Prapashticë në rrethinë të  Prishtinës, pastaj Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e  LPRK-së që mbahet në tetor 1991 në Ujëmirë të Klinës dhe takimi konsultativqë mbahet në Prill 1993, në Kollare të Kërçovës, ku u përgatitën materialet për Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPRK-së që do të mbahet  nga 28-29 korrik 1993 në Kodër të Trimave në Prishtinë.

     Behajdini në mbledhjen e Ujëmirit, që përfaqësonte rrethin e Prizrenit, kërkojë që platformën dhe strategjinë e luftës politike të kësaj organizate ta zëvendësojë organizimi i armatosur, përkatësisht të përgatitet masa për një luftë të armatosur, që e pret Kosovën. Në këtë takim pos Behajdinit kanë marrë pjesë Ahmet Haxhia, Ramadan Avdiu, Xhavit Haziri, Ilaz Kadolli, Azem Syla etj. Ndërkaq në prill të vitit 1993 në Kollare të Kërçovës, Behajdini si pjesëmarrës i mbledhjes konsultative, shprehu qëndrimin që LPRK duhet përkrahur grupet e armatosura kundër pushtuesve. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Azem Syla, Bilall Sherifi, Halil Selimi , Hidajete Krasniqi etj.

     Pra, siç vihet në dukje roli i Behajdinit, si kuadër i dëshmuar në LPK, është dhe do të mbetet historik. Behajdini ka pas një bashkëpunim të mirë edhe me kolosin e çështjes kombëtare shqiptare Mr.Ukshin Hotin. Ai kishte arritur të krijonte një lidhje të fortë e të natyrshme në mes të profesor Ukshinit dhe të Lëvizjes. Behajdini do të dëshmohet si një veprimtarë me dinjitet të madh, duke i sfiduar tronditjet e rënda e të dhimbshme që i shkaktoheshin Lëvizjes, me rastin e rënies së shokëve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, vdekja tragjike e Fadil Vatës, Prof. Xhemajli Berishës, Nesimi Elshanit etj. Këto sprova të rënda, edhe pse do ja vështirësojnë veprimtarinë Behajdinit, nuk do të arijnë dot ta ndalin në rrugën e shejtë - në rrugën drejt lirisë.

     Krahas veprimtarisë  ilegale Behajdini do t´i përkushtohet edhe hulumtimeve kërkimore e shkencore në fushën e studimeve sociologjike. Kështu në vitin 1989 ai regjistroi studimet posdiplomike në Fakultetin e shkencave politike në Sarajevë. Atëbotë provimet i kreu në afat rekord, por nuk pati mundësi të diplomojë  për shkaqet që pasojnë më vonë: fillimi i luftës në në ish-Jugosllavi... Behajdini gjatë viteve të 90-ta do të arrijë të merret edhe me punë kërkimore të familjes dhe ka përfunduar hulumtimin e vitit të katërt të gjimnazit, ku ka hulumtuar dhe ndihmuar personalisht nxënësit. Në shkollën ku edhe punonte ishte bartës i miniprojektit “Organizimi i debateve për trajnimin e fenomeneve sociopatologjike” me të cilat përballen jo vetëm nxënësit, po edhe shkolla, familja dhe shoqëria në tërësi. Pra, siç shihet më lartë, Behajdini posedonte edhe aftësi  të tilla që i mundësonin të krijohej si një personalitet i nivelit të lartë intelektual, politik e shkencor.

     Në vazhdën e aktiviteteve të LPRK-së Behajdini kontribut të veçantë ka dhënë edhe në ruajtjen, strehimin dhe kalimin ilegal të shokëve të tij për në Shqipëri. Ta zëmë në janar të vitit 1992, pas një sulmi të forcave policore e ushtarake serbe në familjen e Jasharajve në Prekaz të Drenicës, përmes veprimtarëve të LPRK-së Rifat Jashari (vëllau i madh i Adem Jasharit) gjen strehim në lagjen Tusus (tani lagjja e trimave) në Prizren dhe pas disa ditësh qëndrimi në këtë lagje, Baci Rifat, nën përcjelljen e Behajdin Allaqit, Besnik Krasniqit dhe Shaip Budurit kalon në trevën e Vërrinit, nëpër fshatin Hoqë të Qytetit dhe në hymje të fshatit Billushë (tani Kushtrim) i dorëzohet veprimtarit Sheradin Berisha, dhe prej këtij fshati nëpër mot të acart të asaj nate Baci Rifat kalon në Zhur prej ku (në orët e para të mëngjesit) me ndihmën e veprimtarit Ismet Badallaj përfundimisht kalon në Shqipëri. Kjo vijë e kalimit ilegal të veprimtarëve të shumtë për në Shqipëri, gjatë viteve 1990-93 ka shërbyer edhe si kanal për futjen e armatimit për anëtarët e LPRK-së dhe të grupimeve tjera atdhetare, të cilët bënin përgatitjet e para për rezistencë të armatosur në Kosovë.

     Pas një aktiviteti të bujshëm atdhetare Behajdin Allaqi më 1 gusht 1993 arrestohet nga UDB-a dhe më 11 nëntor 1993 , nën akuzën për: ” Bashkim për veprimtari armiqësore dhe rrezikim të tërësisë teritoriale të Jugosllavisë”, në Gjyqin e Qarkut në Prizren denohet me 2 vjet e tre muaj burg të rëndë. Së bashku me Behajdinin u burgosën edhe Ilaz Kadolli, Hysen Gega, Binak Berisha dhe Shefki Muçaj. Behajdini burgun do ta vuaj në Dubravë të Istogut (tani Burim).

     Pas lirimit nga burgu, Behajdini sërish vazhdoi të punoj në gjimnazin e Prizrenit, deri në qershor të vitrit 1998. Me formimin e celulave të para të UÇK-së në regjionin e Prizrenit, Behajdini do të jap kontributin e tij në forcimin dhe masovizimin e radhët të UÇK-së. Disa herë merrë pjesë në organizimin e aksioneve ushtarake në fshatrat e Përdrinisë dhe planifikon rrjetin e bartjes së armatimit përmes maleve të Pashtrikut.

     Në fillim të qershorit, sipas konsultimeve të shokëve kontributi i tij ishte i nevojshëm në vijat e frontit dhe për këtë gjë ai shkon për t’u takuar me shokët. Më 11 qershor 1998, nga Shtabi i Drenocit, niset me disa përfaqësues të SHP të UÇK-së për në selinë e SHP në Drenicë. Dhe, nga  data 11 qershor 1998, familjes Allaqi dhe shokëve të Behajdinit do t´i mungoj jo vetëm informacioni por edhe vendi i rënjes së tij, do t´í mungoj jo vetëm vendi i rënjes por edhe varri i tij dhe në fund do t´i mungoj edhe dëshmori. Prej asaj ditë (11 qershor) nuk dihet mirëfilli se a ka arritur Behajdini në SHP të UÇK-së, apo gjatë rrugës është përleshur me forcat pushtuese serbe! Dëshmori i kombit Behajdin Allaqi ka lënë një mori krijimesh shkencore të botuara dhe në dorëshkrim në fushën e sociologjisë. Ai la pas vetes gruan Nazmijen, vajzën Qëndresën, dhe djemtë Qëndrimin dhe Çlirimin.

 

 

 

BEHAJDIN ALLAQI U SHQUA ME NJË VIZION TË QARTË POLITIK

PËR AVANCIMIN E ÇËSHTJES KOMBËTARE

 

Shkruan: Bardhyl MAHMUTI - 12. 07. 2007

 

     Veprimatria e Behajdin Allaqit ishte një veprimtari që nuk bëhej për të arritur një karrierë politike, por për të arritur një qëllim të lartë. E shoh të udhës që në fillim të theksoj përkushtimin e tij të sinqertë për çështjen kombëtare. Ky përkushtim ngërthente në vete rrezikun individual dhe familjar dhe të vetmin satisfaksion kishte vizionin për realizimin e aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi.

     U përqëndrova në këtë aspekt, sepse veprimtaria e fshehtë dallon nga veprimtaria e hapur politike ku politikanët në mes vete dallohen për nga rezultatet konkrete të arritura veç e veç. Veprimtaria e fshehtë kundër okupatorit bëhej në emër të organizatës dhe të gjitha rezultatet pozitive në këtë luftë binin mbi organizatën. Ndërsa pasojat, në rend të parë binin mbi kurrizin e veprimtarëve.

 

    Me një fjalë, veprimatria e Behajdin Allaqit ishte një veprimtari që nuk bëhej për të arritur një karrierë politike, por për të arritur një qëllim të lartë. Këtij qëllimi të lartë, që e kishim të trashëguar nga breznitë e mëparshme të atdhetarve të shquar, Behajdini kontribuoi jashtëzakonisht shumë që t’i jepte formë konkrete në rrethanat që e karkakterizonin pjesën e robëruar të kombit shqiptar.

Behajdini u shqua me një vizion të qartë politik

     Në këtë dimension, Behajdini u shqua me një vizion të qartë politik dhe dëshmoi kualitete të larta në aplikimin e teorive shkencore që kishte përvetësuar gjatë studimeve  me të vetmin qëllim që të avancohej çështja kombëtare. Njohuritë e veta shkencore Behajdini i aplikoi si në orientimin e përgjithshëm ashtu edhe në rastet e  veçanta kur shihte  rrezikun e ndonjë devijimi nga rruga e drejtë. Po përmendi një shembull: Në ditën e parë të Grevës së përgjithshme  të vitit 1989, në kohën kur filluan mobilizimet e gjithanshme për t’u “solidarizuar me kërkesat e Minatorve”, Behajdini analizoi rrezikun e këtij „solidarizimi“  dhe nxori konkluzione se ne mund të solidarizohemi me minatorët e ndonjë shteti tjetër dhe shtroi si orientim moton: „ Kërkesat e Minatorëve „  - janë kërkesa të gjthë popullit tonë“.

     Pas angazhimit në terren u arrit që motoja e shtruar nga Behajdini të jetë dominante në të gjtha manifestimet e Grevës së Përgjithshme të vitit 1989. Këtu del në shesh kualiteti tjetër i Behajdinit: aftësia e tij për të komunikuar me lehtësi në terrenin praktik. Në këtë aspekt, Behajdin Allaqi  insitonte në hulumtimin e mundësive  për të shtrire idenë e Livizjës Popullore për Repuplikën e Kosovës  me të vetmin qëllim që kjo ide të jetë strumbulluar i moblizimit gjithëpopullorë rreth kërkesave tona te drejta.

     Në vizionin e tij politik një vend të veçantë zinte puna me mërgimtarët. Krahas analizave sociologjike të shkaqeve kryesore të fenomenit “migrim”, Behajdin Allaqi jepte orientimet e veprimatrisë me mërgimtarët. Në orientimet e tij dilnin në pah dy aspekte: mobilizimi rreth kërkesave politike dhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtarë për situatën e rëndë të popullit shqiptar. Me një fjalë, në vizionin politik të Behajdin Allaqit del qartë se Çështja e Kosovës nuk mund të hyjë në agjendën e institucioneve ndërkombëtare pa një aktivitet të dendur politik e diplomatik të vetë shqiptarve. Këtu del në shesh kualiteti i tij si politikan që sheh problemin në tërë kompleksitetin e vet: në atë vendor, rajonal dhe global.

     Duke përkujtuar verprimtarinë e Behajdin Allaqit shokët evokojnë kujtimet e tyre të shumta për te. Emerues i përbashkët i të gjitha kujtimeve të atyre që e kanë njohur mirë Behajdinin është së asgjë që lidhet me rezistencën e popullit tonë në periudhën 1988-1998 nuk mund të ndahet nga emri i Behajdin Allaqit. Me një fjalë, historia e re e Kosovës nuk mund të shkëputet nga emri i tij.

Lavdi e përjetshme dëshmorit të kombit Behajdin Allaqit!

Lavdi dëshmorve të kombit!

 

 

BEHAJDINI ME VEPRIMTARINË E TIJ I NGJANTE VETË JUSUF GËRVALLËS,

ATA DONIN TA ÇANIN BORËN PARA SE TË DALË PRANVERA

 

 

Shkruan: Fazli VELIU - 02.07.2007

 

     Behajdini Vinte në perëndim, merrte porositë, heshtur kthehej në vendlindje dhe thellë shkonte atje ku vërtet unë ndiqesha… Shumë e nderuara familje e Behajdin Allaqit, të nderuar bashkëveprimtarë, të nderuara familje të dëshmorëve, të nderuar UÇK-istë të gjithë hapsirës shqiptare.

     Ju sjell përshëndetjet e vendlindjes ku qëndroi para meje vetë Behajdini dhe njëkohësisht edhe organizimeve tona, të subjektit tonë atje, në viset tona arbërore dhe të udhëheqjes sonë dhe ju përgëzoj të gjithëve së bashku për këtë Akademi Përkujtimore të cilën po e bëni me përkushtim pranë figurës së ndritshme të Behajdinit tonë të pavdekshëm dhe qëndroni pranë familjes së tij e cila ngadhënjeu moralisht e fizikisht dhe iu bashkangjit radhës së familjeve të mëdha të kombit me forcën e tyre, me forcën e saj dhe njëkohësisht së bashku me ju po çan përpara për të realizuar amanetin e bijave dhe bijëve të kombit tonë.

     Unë e kam vështirë të flas për këtë veprimtar sepse edhe siç e shihni ai ka qenë më i ri dhe njëkohësisht më i guximshëm. Vinte në perëndim, merrte porositë, heshtur kthehej në vendlindje dhe thellë shkonte atje ku vërtet unë ndiqesha dhe ndoshta do të isha edhe ndryshe po qe se ai nuk e zënte vendin tim dhe po qe se ai me shokët e tij nuk shkonte për të bërë çështjen e Atdheut në të gjithë hapësirën tonë shqiptare.

Behajdini me veprimtarinë e tij mund t´i ngjante vetë Jusuf Gërvallës

     E veçanta e këtij veprimtari ishte se ai ndër të parët çau një bllokadë të kohës ndërmjet asaj që quhej fillim i një lufte për të ardhur deri tek një pavarësi, e cila, kuptohet që mungon edhe sot për këtë Kosovë dhe për mbarë viset tona shqiptare. Unë mund të them lirisht se Behajdini me veprimtarinë e tij mund t´i ngjante vetë Jusuf Gërvallës për fillimin e tij që kishte Jusuf Gërvalla në fillim, sepse edhe ai nuk u kuptua drejt pse veproi ashtu aq hapur në perëndim, dhe nuk u kuptua aq drejt vetë Behajdini pse veproi aq hapur në perëndim, në Prizren dhe më gjerë në Kosovë. Mendoj se edhe njëri edhe tjetri janë, mund të them, viktimë e këtyre veprimeve të hershme të tyre, dhe derisa njëri është një lule që u këput shumë herët(1982), ky tjetri është poashtu lule që ra shumë herët, pasi që edhe njëri edhe tjetri donin ta çanin borën para se të dalë pranvera.

     Tjetër, është e veçanta e njërit dhe e tjetrit, sepse edhe njëri e bëri propagandën e tij në perëndim hapur edhe tjetri e bëri propagandën e vet hapur brenda vendit, dhe, edhe njëri edhe tjetri nuk u kuptuan poashtu për këtë propagandë të hapur. Por, edhe njëri edhe tjetri kishin udhëzimet e Lëvizjes gjithëpopullore atëherë më herët, ndërsa, të definuar  më vonë,  Behajdini e kishte Platformën e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

Këtë dëshmorë të heshtur, ta shpallim dëshmor të vërtet,

 dëshmor të kombit shqiptar

     Atëherë edhe ishte i vetmi që çante mes këtyre vështirësive të mëdha dhe i vetmi ishte që bënte përpjekje të definojë një Lëvizje që ishte e ngushtë në një Lëvizje e cila duhej të bëhej gjithëpopullore, prandaj edhe vetë Behajdini në gërshetim me udhëzimet që ishin nga kreu politik i LPK-së jashtë vendit, për të kombinuar veprimtarinë ilegale gradualisht me një veprimtari pak a shumë të dukshme, të cilën më në fund e pranoi ai politolog i madh - Ukshin Hoti. Është ndër ata të cilët, më në fund, ndoshta që mbeti edhe sot e kësaj dite për disa i pakuptimtë për veprimtarinë e tij për ne jashtë vendit dhe për ne brenda vendit në administratë e cila është e sakt dhe për të cilën administratë dëshmoi edhe vetë veprimtari i madh Fadil Vata, qe i udhëzuar nga veprimtarët jo vetëm të Suharekës, Ferizajt, Prizrenit dhe të Prishtinës, por edhe mbarë viseve shqiptare që të bëjë një gërshetim të tillë të një veprimtarie ilegale me një veprimtari gjysmë ilegale  për të shkuar deri te lufta jonë e hapur, e cila u bë në gjithë hapësirën shqiptare, e fjalët të cilat ai i radhiti në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme janë dëshmi e kësaj që unë po them tash dhe ju që e dëgjoni dhe mendoj që ju e mbështesni, dhe është ai guxim i parë që na jep neve guximin e sotëm këtu, që këtë dëshmorë të heshtur, ta shpallim dëshmor të vërtet, dëshmor të kombit shqiptar.

     Lavdi atij, lavdi të gjithë luftëtarve që ranë për liri dhe dëshirojmë që një ditë prej ditësh të ndriçohet e gjithë veprimtaria e të gjithë veprimtarëve, e gjithë luftëtarëve në Kosovë e më gjerë dhe njëkohësisht dëshiroj që të na kthejnë bijtë dhe bijat tona nga burgjet e Serbisë dhe burgjet tjera dhe ju së bashku me ne të gëzoni një herë e përgjithmonë lirinë që i takon Kosovës dhe viseve të saj.

     Ju lumtë që na erdhët të na e bëni të gjallë këtë dëshmor dhe i lumtë familjes që doli ngadhnjyese për të qenë pranë jush dhe për të qenë ju të gjithë ngadhnjyes pranë vargut të madh të familjeve të kombit.

 

* Fjala e Fazli Veliut, e mbajtur në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorit Behajdin Allaqi, organizuar në Prishtinë më 07.04.2003.

 

 

BEHAJDIN ALLAQI -

ATDHETAR, INTELEKTUAL E POLITOLOG I KLASIT TË PARË

 

 

Shkruan: Abdullah ABDULLAHU - Vjenë, 28. 06. 2007

 

     Behajdini ishte një intelektual e patriot që nuk i duronte dot stolirat në politikë, përkundrazi  ai e urrente pa masë romantizmin e folklorizmin në Politikë. Ishte ithtarë  i krijimit të një mendimi të Ri Politik, që kishte të bënte me depolitizimin e masave të gjëra dhe krijimin e një elite të re politike… e cila Politikën do ta kuptonte - akceptonte si një teori të pozitivizmit  dhe funksionalitetit të saj, si një kategori institucionale dhe mbi të gjitha si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe serioz në ndërtimin e vizionit për një Shtet të ardhshëm të Kosovës. Sot, Behajdini i mungon shumë Prizrenit, i mungon Kosovës që akoma nuk u bë shtet, pra sot mungon mendimi i tij i mprehtë Politik dhe praktik. Behajdini na mungon të gjithë neve që e njohëm dhe vepruam së bashku, për më tepër i mungon familjes së tij!  Dhe, mungesa e tij është një mister që kërkon zbardhje - zgjidhje

     Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë do të thoja, në ditët e fundit të atij qershori 1998 kur në një mënyrë jo fortë të zakonshme më shprehu ngushllime  për Behajdin Allaqin, veprimtari i LPK-së  Shyqëri Bytyqi (vëllai i Murat Bytyqit - LPK- Suharekë) në banesën e tijë në Wells të Austrisë, pas një aktiviteti të Fondit „Vendlindja Thërret“.

 

  

Ukshin Hoti dhe Xhemali Berisha

     Me Behajdinin më lidhin shumë gjëra, jo vetëm Qyteti i Prizrenit, jo vetëm lagja në të cilën u rritëm së bashku, ku për një kohë të gjatë nuk na ndau as dita e as nata. Të shkruash për Behajdin Allaqin do të thotë të shkruash për një Intelektual, për një politolog (ku për shumë çështje të aspektit Sociologjik  me te kosultohej edhe Babai i mendimit Politik Kosovar  Mr. Ukshin Hoti ), të shkruash për Behajdinin duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sepse ai ishte një trim i pafrikshëm, ishte i pakompromisë, donte të vërtetën, ishte njeri i kompletuar dhe mbi të gjitha e donte punën dhe dijen.

     Zhvillimet politike të fundviteve të tetëdhjeta dhe fillimit të nëntëdhjetave padyshim vë në pah  - shënojnë kulmin e përparimit të Behajdinit si një personalitet lider. Kanë shkruar shumë të tjerë për veprimet, punën dhe aktivitetin e organizuar të Behajdin Allaqit, ndërsa unë po provojë të shpërfaqi  në mënyrë kronologjike një pjesë të jetës së këtij strategu.

     Punësimi i tij në Gjimnazin e Prizrenit si Profesor i Sociologjisë-Filozofisë shënon edhe kthesën e madhe  në fillimin e një rreshtimi të ri dhe të veçantë të pregatitjes së aktivistëve të rinjë për ballafaqimet që do t´i prisnin ata  në procesin e shkatërrimit të një Sistemi Shtetërorë Antishqiptarë siç ishte Juogosllavia. Ai për një kohë shumë të shkurtër do të krijojë një rreth të organizuar në kolektivin e tij të punës, dhe këtu vlen të veçohen Prof. Xhemajli Berisha, Besnik Krasniqi, Shaip Buduri e shumë të tjerë. Me këtë kuadër Behajdini arriti që nxënësit e Gjimnazit t´i vëjë në shërbim të çështjes, duke organizuar një mori aktivitetesh kundër Pushtetit Komunal të Prizrenit. Ai isht shumë pragmatik, dhe kishte një prirje të veçantë në mobilizimin e masave të gjera.

     Në fund të viteve të tetëdhjeta ashtu si në gjithë Kosovën edhe Prizreni u përcollë me shumë turbulenca, LKJ-ja po jepte frymën  e fundit shkapërderdhja kishte filluar dhe fundi dihej, po perëndonte një Sistem Politik totalitar, dhe në vend të tij po lindëte një sistem i ri. Kontributi i Behajdinit në këtë periudhë ishte i madh, me organizimin e shumë aktiviteteve ilegale të LPRK-së në Prizren dhe rrethinë. Behajdini si udhëheqës i organizatës koordinonte të gjitha veprimet, përpilonte shkresa, pamflete, trakte etj, të cilat pastaj ne i shpërndanim gjithandej. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë: Musa, Nijaziu, Begushi, Beqiri, Xhemajliu - vëllai i Behajdinit dhe Krenarja - motra e tij, Sinani , Iljazi e shumë të tjerë.

     Si në çdo qytet tjetër të Kosovës edhe në Prizren, me themelin e LDK-së anëtarët e LPRK-së kanë zhvilluar një dualizëm politik dhe në këtë kuadër roli i Behajdinit ishte i jashtëzakonshëm. Kjo periudhë ishte më e vështirë, për faktin se puna legale rezultoi me dekonspirim të Behjadinit dhe shokëve të tij.

 Bashkim Mazreku, Behajdin Allaqi, Arsim Braha dhe Abdullah Abdullahu

 

     Asokohe për këtë çështje u zhvilluan shumë debate e konsulta. Behajdini për këto zhvillime konsultohej shpesh me Mr. Ukshin Hotin dhe këtë gjë e bënte shumë herë në Krushë të Madhe, të shoqëruar nga unë dhe Bashkim Mazreku. Këto biseda e konsulta më vonë artikuloheshin e bëheshin tema të shumë tribunave Politike të organizuara gjithandej nëpër Kosovë. Më kujtohet një takim të mbajtur në Sallagrazhdë të Therandës (Ish’ Suharekës) në shtëpinë e atdhetarit  Hysen Gega ku merrnin pjesë: Iljaz Kadolli, Ibrahim Shala, Abdullah Abdullahu, Behajdin Allaqi, Ramadan Avdiu etj.,kur Behajdini me prirje të një Intelektuali të mirfilltë trajtoi gjithanshëm dukurinë e veprimit tonë politik Legal dhe Ilegal në të njejtën kohë.

     Behajdin Allaqi  gjithë potencialin e tij organizativ dhe politik e kishte konceptuar në përpjekjen për të dalur nga kthetrat e robërisë serbe, në këtë përpjekje ai kishte rreth vetes një ekip të gjerë aktivistësh , patriotësh e profesionistësh nga Prizreni si: Bedrush Çollaku, Salajdin Braha, Asllan Shala, Bashkim Mazreku, Arsim Braha, Besnik Krasniqi, Shaip Budurri, Përparim Asllanaj dhe shumë e shumë të tjerë, me të cilët për çdo ditë ai po ndërtonte një vizion të qartë të luftës për çlirimin e Kosovës.

     Behajdini ishte një intelektual e patriot që nuk i duronte dot stolirat në politikë, përkundrazi  ai e urrente pa masë romantizmin e folklorizmin në Politikë. Ishte ithtarë i krijimit të një mendimi të Ri Politik, që kishte të bënte me depolitizimin e masave të gjëra dhe krijimin e një elite të re politike…e cila Politikën do ta kuptonte - akceptonte si një teori të pozitivizmit  dhe funksionalitetit të saj, si një kategori institucionale dhe mbi të gjitha si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe serioz në ndërtimin e vizionit për një Shtet të ardhshëm të Kosovës.

     Sot, Behajdini i mungon shumë Prizrenit, i mungon Kosovës që akoma nuk u bë shtet, pra sot mungon mendimi i tij i mprehtë Politik dhe praktik. Behajdini na mungon të gjithë neve që e njohëm dhe vepruam së bashku, për më tepër i mungon familjes së tij!

Dhe, mungesa e tij është një mister që kërkon zbardhje - zgjidhje!

 

  

powered by Beepworld