Ka filluar të kryhet bacë, por ende nuk është krye...

 

 

A D E M  J A SH A R I

MITI, LEGJENDA DHE E VËRTETA

 

    

     Adem Jashari kishte patur fatin, që duke i takuar një populli që i kishte besuar, kishte ecur në rrugën e tij, e cila ishte tejet e pakrahasueshme me rrugëzimet e pafund, herë gjysëm sllave dhe herë gjysëm përçartëse të njeriut të Velanisë. Përpjekjet që bëhen sot për të vënë një linjë barazimi mes njeriut të Velanisë, të cilit nuk i përmend emërin për të mos e vënë pranë emërit të Jasharëve, janë veçse dështime të tjera të politikës ditore. Për më tepër ata janë të dhimbshme kur bëhen nga njerëz që i kanë takuar një mendimi të ri politik dhe filozofie të re politike në Kosovë.

 

 

 

       Pa as më të voglin dyshim që emëri i Adem Jasharit është ndër më të njohurit dhe më të respektuarit në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në bashkëkombasit e tij. Është ndër rastet e rradha te historisë njerëzore, jo vetëm të kombit tonë, kur emëri i njeriut, në fare pak kohë, i dalë si nga legjenda, bëhet simboli i popullit të tij. Tashmë, ndryshe nga dhjetë vite më parë, kur ishte e zakonshme të pyetej se " kush është Adem Jashari", rreth emërit të tij është ngritur miti, legjenda dhe e vërteta. Sa lidhje kanë ato me njëra tjetrën, ku është fillesa e njërit dhe vazhdimi i tjetrës, në cilin kufi ndahen ata nga njëra tjetra apo, të tria së bashku, duke mos qenë, veçse vazhdim i njëra tjetrës, përbëjnë atë që sot mund të quhet "çmimi nobel i lirisë" - si është shprehur në ditët e para të pasluftës ministri i sotëm i jashtëm francez, Bernnard Kushner.

 

        Në historinë e kombeve, si dhe në historinë e kombit tonë, ka jo pak shembuj, për të mos thënë se ka mjaft të tillë, në të cilat sakrifica sublime, qëndresa, përkushtimi, janë shfaqur si simbole, nga të cilat është mbajtur gjallë historia. Kjo ka ndodhur edhe tek ne. I janë dashur kombit tonë simbole të herëpashershme, të cilët kanë marrë pas vetes edhe të ardhmen, në një mënyrë ose në një tjetër ata janë bërë fatthënësit dhe dalëzotësit e kombit që i kanë takuar. Mirëpo, ata kanë mbajtur një brez, një ngjarje, një qëndresë, një luftë, kanë pasur një përkushtim, janë ngritur mbi epokën e tyre duke u bërë pjesë edhe e epokave që do të vinin. Brezat janë përkulur në nderim të veprës dhe qëndresës së tyre.

 

Historia jonë e lavdishme

 

        Sidoqoftë, në këtë plejadë qëndrese, në të cilat janë ndeshur burra që kanë zgjidhur hallet e popullit të tyre me armë dhe burra që u kanë paraprirë me pendë, ka qenë pa dyshim saktësisht e qartë se miti i krijuar mbi jetën dhe luftën e tyre, aq sa ka qenë i vërtetë, aq ka qenë dhe njerëzor, aq sa ka qenë i saktë, aq ka patur edhe përmasat e së panjohurës, në të cilat vitet dhe dekadat kanë sjellë zbehjen ose, jo rradhë, edhe rëndimin e kujtesës.

 

        Ata që qëndruan në memorjen e kombit si të përhershëm nuk e bënë vetë këtë, thënë të drejtën as nuk e deshën këtë, por gjithçka erdhi natyrshëm, deri sa njerëzit i bënë pjesë të jetës së tyre të përditshme.

  

         Por rasti i Familjes Jashari ishte i një natyre krejt të veçantë. Për t'u ngritur miti i tyre nuk u deshën vite të shumta e as dekada, nuk u desh që të trasohej rruga, të qetësoheshin ngjarjet, të merrnin rrugë ato; miti i tyre u ngrit vetvetishëm dhe kjo ndodhi që të nesërmen e rënies së tyre.

 

        Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë, kjo nuk kishte ndodhur as në rastin e famëmadhit dhe burrit më të shquar të kombit tonë, Gjergj Kastriotit. Në rastin e mësipërm, të Gjergjit, ai kaloi përmes tri fazave në të cilët kalojnë përsonalitetet e mëdha të historisë. Si e cilëson Fan Noli në librin e tij mbi jetën dhe veprën e Skenderbeut, emëri i tij kaloi përmes glorifikimit që i bënë bashkëkombasit e tij, pastaj përmes mohimit të plotë që i bënë ata që erdhën pas tij dhe së fundi - në drejtpeshimin e gjërave dhe ngritjen e lavdisë së përjetshme.

 

        Adem Jashari nuk kaloi përmes një rruge kaq të gjatë. Ai e kishte pasur një fat tjetër, ai e kishte pasur mohimin para se të vinte dita e 5 marsit dhe rrethimi për herë të tretë i Kullave të Jasharëve. Ai, si të thuash, kishte kaluar përmes së keqes që vinte nga zyrat e Velanisë, nga mallkimet e përbaltjet që i hidhnin prej andej, kishte fshirë me mantelin e tij të luftës përbuzshëm gjithë mllefin dhe helmin që rridhte si ujrat e shirave dhe kishte bërë më tutje. Në se kishte qenë i leçitur nga politika e ditës së Prishtinës dhe lideri i saj, Adem Jashari kishte patur fatin, që duke i takuar një populli që i kishte besuar, kishte ecur në rrugën e tij, e cila ishte tejet e pakrahasueshme me rrugëzimet e pafund, herë gjysëm sllave dhe herë gjysëm përçartëse të njeriut të Velanisë. Përpjekjet që bëhen sot për të vënë një linjë barazimi mes njeriut të Velanisë, të cilit nuk i përmend emërin për të mos e vënë pranë emërit të Jasharëve, janë veçse dështime të tjera të politikës ditore. Për më tepër ata janë të dhimbshme kur bëhen nga njerëz që i kanë takuar një mendimi të ri politik dhe filozofie të re politike në Kosovë.

 

-          Përse ndodhi, menjëherë pas rënies, mitizimi i Adem Jasharit dhe ngritja e legjendës së tij? Ishte një rastësi, një thirrje e kohës pasi populli kishte nevojë për një mit dhe për një legjendë, ishte kërkesë apo gjithshka ishte e vërtetë dhe kjo e vërtetë po fillonte të bëhej qartësisht e lexueshme për të gjithë, për pasuesit e tij, por edhe për mohuesit e tij?

 

        Që pas 8 marsit të vitit 1998 emëri i Adem Jasharit, bacës Shaban, Hamzës, dajës Osman dhe i gjithë atyre që luftuan në atë fillim marsi, i kullave që u shkrumbuan, i jetës që u dha, i pushkëve që u ngritën, i luftës deri në sublimitet, u bënë fillesa e simbolit të popullit që i takonin. Për këtë nuk u desh asnjë dekret, dhe si të tillë askush nuk mund ta nxirrte, nuk u muar asnjë vendim, nuk u bë asnjë mbledhje e veçantë, gjithçka rrodhi krejt natyrshëm, tepër njerëzore, sublime do të thoja, deri në atë kufi ku kufiri mes mitit, legjendës dhe të vërtetës nuk është kurrë qartësisht i përcaktuar, sidomos në ditët e para.

 

        A kishte një shkak tjetër, po ashtu aq madhor dhe sublim, sa edhe rënia e tyre që solli mitizimin e menjëhershëm të Adem Jasharit? - Sigurisht që po. Në ditët e para të pasrënies së tij dhe bashkëluftëtarve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e natyrshme që ana figurative, emocionale, e prekshme, e dhimbshme, më e kapshme - lufta, qëndresa dhe sakrifica, të ishin më evidentet. 

 

        Mirëpo këto nuk mjaftojnë për të bërë një mit, ata shumë - shumë mund të bëjnë një shembull, një prijës të ditës, një emër për t'u ndjekur, ata mund të bëjnë një këngë ose shumë këngë - por nuk mund të bëjnë mitin Njeri, nuk mund të hedhin bazamentin e legjendës, e cila në këtë rast, nuk është asgjë tjetër, veçse e vërteta.

 

        Për të kaluar nga emëri i njeriut luftëtar, jo shumë i njohur jashtë Drenicës dhe jo shumë i njohur jashtë strukturave të organizuara të luftës, Adem Jasharit nuk iu deshën më shumë se 48 orë. Që nga dita kur kishte vendosur të zgjidhte çështjen e Kosovës përmes pushkës dhe deri në ditën e rënies së tij ishin më shumë se dhjetë vite aktivitet ilegal, legal e gjysëm legal, mirëpo edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të spjeguar mitin e jashtëzakonshëm të Jasharëve. Që nga dita kur ishin hedhur themelet e para të Fisit të Jasharëve në Prekaz dhe deri në ditën kur do të digjeshën për herë të fundit kullat e tyre do të kishin kaluar treqind vite - mirëpo edhe ky autoktonitet, nuk i ka të gjitha në vete.

 

        Në Drenicë, por edhe jashtë saj, kishte pasur Kosova burra të mëdhenj, të ndritur do të thoja, të cilët ishin sakrifikuar deri ku nuk mbante më, dhe këtë e kishin bërë krejt natyrshëm, duke dhënë pasurinë, bijtë e bijat e tyre, duke e shkuar gjithë jetën luftrave dhe në fund duke dhënë edhe jetën e tyre. Ata e kanë lënë emërin e tyre në historinë e kombit - mirëpo, kjo që po ndodhte në rastin e mitit të Jasharëve do të ishte diçka krejt e re dhe krejt ndryshe në historinë tonë.

 

        Një shembull i përjetuar: me 9 mars 1998, pra dy ditë pas përfundimit të luftës në Prekaz, në qytetin e Shtutgartit, Lëvizja popullore e Kosovës, do të organizonte një manifestim të madh kundër dhunës dhe pushtimit serb të Kosovës. Ishte manifestimi i parë i madh që bëhej. Organizatorët kryesorë të tij ishin Kushtrim Hadergjonaj, Sheradin Berisha, Gëzim Avdimetaj e të tjerë. Së bashku me profesor Hasan Ukhaxhajn ishim ftuar, si drejtues të Lëvizjes, për të folur në këtë Manifestim. Në sheshin e madh ishin më shumë se njëzet mijë vetë.

 

         Ende nuk dihej saktësisht se çfarë kishte ndodhur në Prekaz, lajmet vinin të paqarta deri në fund, as në familjen Jashari që jetonte në Mynih ende asgjë nuk ishte e qartë. Pikërisht në këtë shesh, për herë të parë, pa kaluar as 48 orë nga vrasja e tyre, emëri i Adem Jasharit gjëmoi. Kam parë njerëz që thërrisnin emërin e tij me gjithë shpirt duke valëvitur flamurin kombëtar, sikur shpirti i tij ishte tashmë në palët e flamurit. Ishte një thirrje e re, krejt e veçantë, nga askush e orientuar, e dalë nga thellësia e shpirtit, megjithëse ende kishte shumë e shumë njerëz që pyesin se "kush është Adem Jashari".

 

        Një javë më vonë, Lidhja Demokratike e Kosovës, në qytetin e Mynihut, nuk lejoi të vihej fotografia e tij në qendër të manifestimit dhe kjo do të ishte nga përpjekjet e fundit të hapura për prishjen e mitit dhe çlegjendizimin e emërit të Adem Jasharit. Pak kohë më vonë kam parë të njëjtët njerëz duke u përbetuar se kanë qenë miqtë më të mirë të tij dhe të familjes së tij. Por kjo është një histori tjetër.

 

        Unë kthehem edhe një herë tek pyetja ime: ishte rastësi, kërkesë e kohës apo ishte gjithçka e natyrshme, njerëzore dhe saktësisht e merituar?

 

        Ne jemi mësuar ta shohim në fotografi të ndryshme Adem Jasharin, gjithnjë me armë në dorë, me pelerinën e luftës hedhur krahëve, me mjekrrën e derdhur si ujvarat e bjeshkëve të Sharrit, me shikimin e tij të papërsëritshëm - sytë e tij flasin më shumë se qindra deklarata, jemi mësuar edhe ta përfytyrojmë një njeri që vetëm ka luftuar, ka organizuar aksione, ka qëndruar, ka mposhtur armiqtë, ka ngrohur zemrat e njerëzve. Kështu jemi mësuar dhe të gjitha këto, duke qenë të vërteta, janë njëkohsisht edhe të paplota.

 

        Njerëz që e kanë shkuar jetën me armë kemi pasur gjithnjë, me pelerinën hedhur krahëve kemi pasur po ashtu, që janë vrarë burrërisht me gjithë njerëzit e fisit të tyre, ka ndodhur edhe kjo; sepse na është dashur të luftojmë në shumë dekada. Ka pasur burra si Isë Boletini që në një thirrje të tyre ngrinin në këmbë deri në 15 mijë vetë dhe hynin në Shkup si në shtëpinë e tyre.

 

        Adem Jashari nuk është vetëm fotografia që njohim, vetëm thelbi i asaj që besojmë, nuk është vetëm streha nga e cila, domosdo kanë shkuar të gjithë ata që donin të luftonin - ai është shumë më tepër se kaq. Edhe shumë vite pas rënies së tij, mjaft njerëz që kishin pozicione drejtuese në strukturat e luftës, kur duan të dëshmojnë një qëndrim apo të kenë një mbështetje, krejt natyrshëm i drejtohen Adem Jasharit apo faktit se kanë qenë në lidhje me të, se kanë bujtur tek Jasharët, se kanë patur kontakte ose se u kanë ndihmuar atyre. Nganjëherë, mjerisht, edhe njerëz që krejt rastësisht janë njohur me to apo u kanë bërë konak, tashmë dëshmohen si njerëz të afërt dhe të besuar të tyre. Në fund të fundit kjo është forca që ngjall emëri i Jasharëve, sidomos i Ademit, Bacës Shaban dhe Hamzës dhe ne duhet ta pranojmë si të tillë. Jasharët, duan apo nuk duan, nuk do të mund t'i shmangen kurrë mbështetjes që kërkojnë të tjerët tek emëri i tyre.

 

-          Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot Adem Jasharin krejt të veçantë në historinë e kombit tonë?

-          Cila është rrjedha përmes së cilës ka ecur e vazhdon të ecë emëri i tij?

-          Ishte ai thjeshtë luftëtari, njeriu me pushkën hedhur krahëve, i hekurt dhe i ftohtë, i pafjalë dhe serioz, apo kishte shumë më tepër se kaq?

 

        Përsonalisht nuk e kam takuar asnjëherë Adem Jasharin. Nuk futem në rradhën e njerëzve që e kanë patur një fat të tillë në jetën e tyre. E kam dëgjuar për herë të parë emërin e tij nga Fehmi Lladrovci dhe vllai i tij, Ramizi, që më pas do të bëhej përfaqsuesi i Adem Jasharit në perëndim, në bazë të një letre që Grupi i Drenicës i dërgoi organizatës në dhjetorin e vitit 1997. Letra ruhet ende në arkivin e organizatës. Fehmiu, kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të dhe mendoj se Adem Jashari ishte i vetmi njeri para të cilit përkulej Fehmi Lladrovci. Më pas do të mesoja se edhe Adem Jashari, kur i kishin kërkuar të kishte një ndarje me Fehmiun, do të thonte se " vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci". Kjo ka qenë njohja ime e parë me të, përmes figurave që ishin të afërta me Adem Jasharin, por, thënë sinqerisht, nuk e kam menduar se po flisnim për njeriun që shpejt, shumë shpejt do të bëhej figura mitike e shqiptarëve. Ishte koha kur ai sapo ishte dënuar me njëzet vite në mungesë, në gjyqin e njohur ndaj Grupit të Drenicës. Më pas e pashë fotografinë e tij dhe më bënë përshtypje sytë e tij, të cilët, kushdo që i sheh me vërejtje, e ndjen se kanë ngjashmëri të jashtëzakonshme me të shqiponjës.

 

        Por unë kam patur një fat tjetër të dyfishtë : kam njohur nga afër, si mik i tyre, familjen e jashtëzakonshme të Jasharëve, të cilët kanë hisen e tyre të papërsëritshme në luftën që është zhvilluar në Kosovë. Unë mund të them me bindje se, në se nuk do të kishte qenë mbështetja e tyre e hapur dhe angazhimi në strukturat e luftës, shumë gjëra nuk do të shkonin ashtu si do të rridhnin punët më tej. Në familjen e tyre, shumë herë, më ka takuar të shoh inçizimet e ndryshme familjare, krejt të zakonshme, të shoh Ademin dhe Hamzën mes familjeve të tyre, të ndjek rrjedhën e jetës që ata kanë bërë, punët e hallet e përditshme, të dëgjoj se si e kanë konceptuar jetën dhe si kanë menduar për të ardhmen e Kosovës, duke folur krejt natyrshëm, i kam parë tek losin me fëmijët në një ditë të zakonshme, si silleshin me prindërit, atë aktin e veçantë kur i merrnin mes duarve të tyre dorën e nënës plakë dhe e përkdhelnin butësisht, hyrjen pa bujë e zhurmë në dhomën e miqve, deri në një ditë të zakonshme kur merreshin me punët e përditshme si do të ishte krasitja e pemëve apo çarja e drurëve në oborrin e shtëpisë.

 

        Fati tjetër i imi lidhet me faktin se në vitet e luftës isha i zgjedhur drejtuesi kryesor i Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë së cilës i kishte takuar edhe Adem Jashari që nga mesi i viteve 80. Në arkivën e saj ndodheshin ose m'u dhanë më pas mjaft kaseta, në të cilat ishin të regjistruara porositë e Adem Jasharit, mendimet e tij, qëndrimin e tij për njerëz, ngjarje dhe pozicione të ndryshme, kam dëgjuar mendimin e tij, i cili, kishte po të njëjtën peshë dhe po të njëjtën forcë si edhe lufta e tij. Ndodheshin letra të tij, të cilat ruhen edhe sot si thesar i jashtëzakonshëm, dhe përmes tyre, ndonjëra edhe është bërë publike, mund të dallosh qartësisht se pas tij nuk është vetëm njeriu i luftës, por edhe i mendimit vizionar; nuk është vetëm luftëtari, por edhe prijësi, nuk është vetëm e tashmja, por edhe përvoja që kishte shkuar; nuk është vetëm Drenica, por edhe Kosova, nuk është vetëm Kosova, por edhe kufijtë më skajorë të Shqipërisë londineze.

 

        Adem Jasharin unë nuk e kam parë kurrë thjeshtë e vetëm si luftëtar, si dalëzotës i zakonshëm i Kosovës, por shumë më tepër se kaq.

 

        Në këtë dhjetë vjetor të rënies së tij është koha të flasim më gjatë për mendimin e tij filozofik, për vizionin e tij të jashtëzakonshëm, për përmasat që kishte rrokur mendja e tij, për krijimin edhe një herë si në legjenda të treshes së njohur mitike ; babai dhe vllezërit; apo edhe më tej, Familja dhe Fisi, për të shkuar më gjërë, në krejt shqiptarinë.

 

-          Cila ishte filozofia e Adem Jasharit?

-          Cili ishte vizioni i tij?

-          Çfarë bëri ai më shumë se gjithë të tjerët për të qenë njëkohsisht mit, legjendë dhe e vërteta e kombit tonë?

 

*  *  *

 

        Përfytyrimi i Adem Jasharit thjeshtë e vetëm si një luftëtar, prijës apo edhe diçka më tepër asnjëherë nuk ka qenë i saktë. Sepse ka qenë i paplotë. Kjo është thelbësorja. Sepse ka qenë vetëm njëra anë e shfaqjes së tij, ajo më e dukshmja, më e përfytyrueshmja, më e kapshmja. Ajo për të cilën është edhe më e lehtë të flitet, por që jo gjithmonë është e gjithë e vërteta.

 

        Adem Jasharin ne duhet të mësohemi ta shohim përtej këtij përfytyrimi, duhet të mësohemi ta shohim në ato përmasa që janë e vërteta e jetës së tij dhe e mendimit të tij politik, përceptimit të tij vizionar dhe e shfaqjes së tyre në kapërcyellin e shekullit të shkoi.

 

        Shfaqja e tyre në vetvete ose një nga një ka disa ngjashmëri ose shumë ngjashmëri me shfaqje të tilla në lëvizjen tonë kombëtare, por kësaj rradhe, për herë të parë ajo është një plotëri, është struktura komplekse e mendimit dhe e rezistencës, mbështetur në tiparet jo vetëm të kohës që përjetoi, jo vetëm të së shkuarës, por edhe në përceptimin e së ardhmes. Fakti që idetë që kishte mbartur Adem Jashari nuk u shuan sëbashku me rënien e tij heroike, por, në të kundërtën u bënë tej mase dhe tej se zakonshmes më të fuqishme, dëshmojnë se, më shumë se gjithçka, ai kishte patur ide që do të përgatitnin të ardhmen.

 

        Nuk e di dhe besoj se mes tyre nuk do të jenë takuar asnjëherë Adem Jashari dhe vigani i mendimit liberator Ukshin Hoti, por jam i bindur se kanë dëgjuar për njëri tjetrin. Ukshin Hoti ishte njëri ndër figurat e njohura të jetës politike të Kosovës që në ngjarjet e njohura të vitit 1981, ndërsa Adem Jashari, përgjithsisht Jasharët duhet të ishin të njohur për Ukshin Hotin, qoftë për ngjarjet e 30 dhjetorit të vitit 1991, qoftë edhe nga fakti se Ukshin Hoti kishte lidhje me të njëjtat struktura ilegale ku ishte pjesë edhe Adem Jashari. Sidoqoftë kjo nuk është e rëndësishme. Thelbësore se të dy ata, njëri në fushën e filozofisë së shkruar dhe tjetri në fushën e filozofisë së jetësuar, hapën njëkohsisht një fushë të re përjetimi në politikën shqiptare të Kosovës.

 

-          Cilat ishin disa nga momentet më themelore të mendimit politik të Adem Jasharit dhe të vizionit të tij?

        Në se shpejt e shpejt, shkurt e shkurt, do të thonim se ishte liria e Kosovës dhe bashkimi i kombit - kjo ishte një aspiratë shekullore, thuajse e të gjithë shqiptarëve në Kosovë. Për të arritur në këtë aspiratë duheshin përcaktuar qartësisht saktë rrugët që do të përshkruheshin, perspektivat që do përcaktoheshin, duhej bërë një gjë e cila , aq sa do të ishte pa kthim, aq edhe do të ishte mrekullisht e dëshiruar, të paktën nga ata që do të ishin në gjendje të bënin luftën.

 

       Djemtë e Shaban Jasharit, pas jetesës më shumë se 300 vjeçare në Prekaz kishin krijuar lidhjet e tyre me tokën. Kjo ishte një lidhje e shumëanshme, jo vetëm jetësore, e përditshme, por edhe në motivin e tyre të qendresës. Hamzë Jashari do të thonte në njerën nga bisedat e tij të lira se " këtu kemi lindur, këtu do të jetojmë, këtu do të vdesim, përtej kësaj toke nuk kemi se ku të shkojmë". Ishin fjalë profetike.

 

       Dihet tashmë se në disa nga muajt e vitit 1991 Adem Jashari dhe disa nga bashkëluftëtarët e tij do të jenë në Shqipëri, në atë që do të quheshin ushtrime ushtarake. Është i njohur fakti se gjithçka ishte dekonspiruar, por kjo nuk është në temën e këtij shkrimi.

 

       Si çdo gjë që lidhej me luftën, Ademi e kishte marrë gjithçka shumë seriozisht dhe do i thotë djemve të grupit të Drenicës se " Kush i a ka mësyer kësaj rruge, duhet me e ditë mirë çka mundet me ndodhë dhe këtu nuk ka hajgare, ia kemi nisë kësaj pune dhe duhet t'i shkojmë deri në fund, pavarësisht se si do të shkojë ajo, me rreziqe apo pa to".

 

       Pas arrestimeve masive të grupeve të ndryshme që u stërvitën në Shqipëri, para shumë kujt u shtrua pyetja se çfarë duhej bërë. Ishin të shumtë ata që morrën rrugën e mërgimit. Disa e humbën emërin e tyre, disa nuk e ditën as vetë se nga do të shkonin, të paktë ishin ata që vazhduan të mbeten në rrjedhat e luftës dhe, edhe më të paktë, ata që u kthyen.

 

       Adem Jasharit, qeveria e asaj kohe, e quajtur e Bukoshit, i propozoi rrugën e mërgimit. Çfarë do të kishte ndodhur në se edhe ai, si jo pak të tjerë, do të kishte bërë të njëjtën gjë.. do të rrugëtonte dhe do të kthehej në një mërgimtar të zakonshëm. Ai edhe mund ta bënte këtë, askush nuk ishte zot i fatit dhe i jetës së tij. Mirëpo Adem Jashari e kishte mendimin e tij të pjekur politik dhe ky është guri i parë themeltar i çdo qëndrese: për vend tonë duhet të luftojmë në vendin tonë. Nuk na bën mirë as buka e të huajit, as ngrohja e të huajit, as fjala e të huajit. Ai pra mund të rrinte, ta zëmë në Gjermani, mirëpo është nga gjërat e para që nuk i shkon ndër mend. Ndoshta mund edhe të ketë dëgjuar se një profesor i nderuar, ish i burgosuri politik Ukshin Hoti e kishte lënë Universitetin famëmadh të Harvardit për të bërë politikë në Krushën e Madhe, ndoshta edhe jo. Por ai bëri të njëjtën gjë, me të njëjtin mendim politik e filozofi politike të qendresës: lufta duhet filluar nga vendlindja.

 

        Mendimi i tij ishte pjekur me kohë - nuk ishin dashur vështërsi të mëdha për të patur një mendim të tillë, aq më tepër në një fis ku ai kishte lindur dhe ku kishte formuar karakterin e tij.

 

       Adem Jashari kthehet në Prekazin e Poshtëm.. Asgjë të veçantë nuk ka në këtë fshat bri Skenderajt. Katër lagje: Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vllezërve :Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët ishin të ardhur disi më vonë në Prekaz. Megjithatë ky ishte dheu i tij, ai e dinte se nuk mund të shkonte diku tjetër dhe t'u thonte të ngriheshin në luftë, në se nuk e kishte zgjidhur më parë një gjë të tillë në fshatin dhe në gjakun e tij. Atdheu fillon nga vetja - thonë dhe kjo, në rastin e Jasharëve dhe të Prekazit të Poshtëm, është më se e vërtetë.

 

       Ai nuk do të kthehet në vendin e tij për të bërë llafe të pabukë dhe të pafund. Kur ishte kthyer ai kishte përcaktuar që dhjetë vjet më parë përgjigjen e pyetjes, që jo një herë e kishte thënë Hamza " A po bëhet ma laps, a po bëhet me pushkë". E kishin përcaktuar si Fis që ditën kur ishte vrarë kushëriri i tyre Tahir Meha, brezi i tretë i kësaj familje që bënte luftë me Serbinë.

 

       Vizioni i qartë politik se lufta duhet filluar që nga vetvetja e duhet bërë në Kosovë, do të jetë ndër vendimtarët në politikën e fund shekullit të shkuar. Adem Jashari, krahas tij edhe figura të tjera madhore si Zahir Pajaziti, do të kishin meritën e jashtëzakonshme, të papërsëritshme do të thoja që pasi përcaktuan qartësisht vizionin e tyre u bënë njëkohsisht edhe mishërues të këtij vizioni.

 

       Në librin e shenjtë kristian, Biblën, është edhe thënia e njohur e Jesus Krishtit se "nuk mund të jesh profet në vendlindjen tënde". Shembulli i Adem Jasharit dëshmoi se mund të ndodhte edhe ndryshe. Mund të ishte profet edhe aty ku kishe lindur. Kjo do të ndodhte në se nuk do të shkëputeshe kurrë nga vendi yt, në se nuk do i humbisje ato lidhje të veçanta që të mbajnë fuqishëm pas saj.

 

       Kjo nuk do të thotë se duke qenë vetë jashtëzakonisht i lidhur me tokën ai do të kishte përbuzje ose largesë ndaj atyre që ishin jashtë. Strukturat ilegale që ishin jashtë Kosovës, disa tepër të rëndësishme, si sektori i veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, apo të tjera do të kishin përherë mbështetjen e tij. Këtë e dëshmojnë letrat që ka dërguar apo porositë që ka dhënë. Edhe në letrën e tij të fundit, dhjetor 1997, është e pranishme një gjë e tillë. Është ndoshta i njëjti mesazh që do të niste nga salla e gjyqit Ukshin Hoti, kur, i pranguar, në prag të burgosjes së gjatë do i dërgonte përshendetjet e tij shokëve të lëvizjeve ilegale jashtë Kosovës.

 

       Ideja e Adem Jasharit për të gjetur mbështetje tek njerëzit e tij, në tokën e të parëve, është tejet e lashtë, ajo është një ide prometheiane. Mirëpo, aq sa është e lashtë, aq është edhe e rradhë në shfaqjen e saj në historinë e kombeve. Ne jemi fatlumë që kishim një Njeri, i cili, në fundin e shkeullit të njëzet e risolli këtë ide tek ne, në formën më të mrekullueshme të shfaqur dhe njëkohsisht në formën më të heshtur. Është ndër rastet e rradha, kur e madhërishmja shfaqet krejtësisht e heshtur.

 

       Vizioni politik i Adem Jasharit shkonte përtej asaj që mund të quhej fusha e tij e veprimit. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimet e viteve 90, qendresa kundër pushtimit serb do të kishte disa shembulltyra, herë më të spikatura e herë më të zbehta, por sidoqoftë, thuajse në çdo dhjetë vite, ka pasur një ngritje masive. Kjo ka qenë e rëndësishme, pasi asnjëri brez nuk mund të quhet brez i humbur, pavarësisht se u bënë investime të mëdha për të pasur, jo një, por disa breza të tillë.

 

       Lëvizjet kryengritëse të shqiptarëve në Kosovë deri në shfaqjen madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin qenë në konturet e kufijve të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Megjithëse e kishin ditur se në rastet e halleve të mëdha mund të mbështeteshin tek shteti amë - gjithçka që ishte rrokullisur në pesëdhjetëvitet e fundit, e bënin të vështirë shkuarjen më tej se dëshira apo ideja.

 

       Adem Jashari do të krijonte, fillimisht në memorjen e tij, e pastaj në konfiguracionin politik të strukturave të luftës idenë e saktë se lufta do të mund të fitohej, në se shteti amë do të ishte streha e dytë e luftës.

 

       Është i njëjti mendim politik i shfaqur në të gjitha veprat e Ukshin Hotit. As njëri dhe as tjetri, megjithëse ishte koha kur mbi Shqipërinë hidheshin gurët e mëdhenj të sharjeve, nuk e mohojnë atë, nuk e shohin si njerkë, por si nënë dhe e trajtojnë si të tillë. Me mijra e qindra mijra artikuj do të shkruheshin në shtypin udbash kundër Shqipërisë, asnjëri prej tyre nuk do të bënte vend në mendimin e Adem Jasharit. Për të bërë sa më të qartë këtë vizion brenda vetes, ai rikrijon mitin e Çerçiz Topullit dhe bashkë me të vllain, Hamzën, mitin e Mihal Gramenos.

 

      Ai mund të ngrinte brenda vetes një mit tjetër. Kishte mjaft të tillë, mirëpo ai e kërkon deri atje ku mendon se mund të jetë shembulli më i skajshëm, në Gjirokastër dhe ku është edhe njëkohsisht më domethënës: një toskë, luftëtar i vrarë nga sllavët në daljen buzë liqenit të Shkodrës.

 

       Disa vite pas ngjarjes së njohur, Murat Jashari, nipi i Hamzës dhe i Ademit, për një ekip kineastësh nga Shqipëria do të thonte se "Shpirtrat rilindin. Shikojeni filmin e Çerçiz Topullit, ngjarjet dhe figurat që kanë lëvizur në atë film dhe në pozicione të ngjashme është gjetur Adem jashari me shokët gjatë luftës. E njëjta ngjarje ka ndodhur, e njëjta luftë. Çerçizi ka patur pak fjalë. Edhe Ademi ka folur shumë pak. Anën diplomatike në filmin e Çerçiz Topullit e ka udhëhequr Mihal Grameno. Atë rol, ndërkaq, tek ne e ka pasur Baci Hamzë..."

 

       E vërteta është edhe më e gjërë se kaq. Mirëpo nipit të Jasharëve, në modestinë e tij, i takonte vetëm kaq të thonte. Mirëpo, ajo që ishte themelore dhe që ka mbetur ende në kujtesën e të gjithëve është pikërisht miti që ngriti Adem Jashari, jo thjeshtë se nuk mund të ngrinte një mit tjetër, por sepse e kishte të qartë tashmë se njerëzve u duhej ideja e luftës së përbashkët, jo vetëm përmes gjërave të zakonshme, por edhe përmes miteve.

 

       Në ditët e netët e luftës së njohur të 5, 6 dhe 7 marsit, Adem Jashari do i kthehej edhe një herë mitit të tij : gjatë gjithë kohës ai do të këndonte këngën e njohur të Çerçiz Topullit. Do e përsëriste dhe e ripërsëriste, do e kthente në thirrje e forcë, dhe më pas, pak kohë pas përfundimit të luftës, Besarta, e vetmja mbesë e fisit që mbijetoi do të thonte se " sa kam dëgjuar bacin Adem që këndonte, hiç nuk kam pasë frikë..."

 

       Vizioni i Adem Jasharit se lufta duhej kaluar përmes të gjithë kombit do të ishte më se i saktë dhe jetik. Ai, në shumë raste do të ishte ndër faktorët më përcaktues dhe njeriu i heshtur, Adem Jashari e kishte ditur dhe e kishte paraprirë këtë. Ukshin Hoti do e përcaktonte me veprën e tij, Adem Jashari do e mishëronte me jetën e tij. 

 

       Megjithatë nuk janë vetëm këto. Këto ishin dy gurët e mëdhenj që ai ngriti, me forcën e një titani, në rrugën që donte të bënte, por kjo do të ishte po ashtu e pamjaftueshme.

 

         Ai eci edhe më tej…

 

*  *  *

·        Adem Jashari nuk do të ngutej.. e kishte të qartë se asgjë nuk do të vinte për së mbari nga grykat e Velanisë, por as nuk i bëhej merak për këtë. Po të ishte puna që të pyeteshin "institucionet" e Kosovës, as për njëqind vite nuk do të kishte filluar qëndresa e armatosur, për të shkuar drejt luftës së pashmangshme. 30 dhjetori i vitit 1991 do të ishte fillesa e pagëzimit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në se do të kishim pasur ngutje, në se njeriu mit do të kishte menduar se " hajt, po ja fillojmë" do të kishte qenë lehtësisht e mundshme që çdo gjë do të ishte shkatrruar e rrënuar, ani pse njeriu që do e kishte filluar do të kishte mbetur në histori. Në vitin 1993, në një fjalim publik, me rastin e varrosjes së dy dëshmorëve, Ukshin Hoti, vizionar dhe njëkohsisht dinjitoz si ai, do të thonte krejt hapur se "Kosovës i duhet Ushtria e saj Çlirimtare". Do të ishte e njëjta gjë që do të sendertonte Adem Jashari, pasi e kishte kërkuar atë, pasi kishte punuar për ta patur atë. Mendimi vizionar, i thënë krejt shkurt nga Adem Jashari, e po ashtu krejt saktë se "Armët nuk i kam marrë për të ja dorëzuar Serbisë, por që të bëj luftën kundër saj", është krejt i njëjtë me përqasjen filozofike të Ukshin Hotit, për domosdoshmërinë e krijimit në Kosovë të ushtrisë së saj Çlirimtare.

 

        Vizioni politik i Adem Jasharit, ndërsa është i mbështjellë me konfigurimin e armës, ka në thellësinë e vetë mendimin e qartë se lufta ishte e domosdoshme, pasi nuk do të kishte rrugë tjetër dhe, së dyti, kjo luftë nuk duhet bërë, ashtu kaçakçe, si kishte ndodhur jo rradhë në historinë e kombit tonë. Ai kërkonte që të luftohej, kjo luftë në se do të ishte e domosdoshme do të fillohej nga vatra e tij, për të shkuar më tej në të gjithë Kosovën. Por jo një luftë e ngulitur thjeshtë në një mal, me njerëz që qesin pushkë thjeshtë se nuk e duan pushtimin dhe Serbinë, me njerëz të cilëve u ka ardhur deri në fyt e keqja e pushtimit. Ai kërkonte shumë më tepër se kaq, dhe për të ngritur një gjë të tillë ai kishte aftësinë që të priste, të ecte në drejtvizimin e duhur, të mos ngutej dhe të mos krijonte rreth vetes një rreth të mbyllur.

 

        Më shumë se gjithçka kjo do të ishte një luftë politike dhe kjo kërkonte një drejtim politik.

 

        Për të ardhur deri në mesin e vitit 1993, kur edhe zyrtarizohet prania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të kishin kaluar disa vite. Në fillimet e vitit 1989 dhe më pas, Adem Jashari do të ishte njëri ndër antarët e strukturave ilegale që do të kërkonin ngritjen e ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës. Në bisedë me Ramadan Avdiun, aso kohe njëri ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Grupi i Drenicës, mes të cilëve spikaste roli dhe figura e Adem Jasharit, do të thonte qartësisht : "ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por dikush duhet t'u dalë zot aksioneve tona. Jo vetëm t'i mbështesë, por edhe të ketë përfaqsimin politik, mbështetjen politike".

 

        Kjo do të ndodhte për herë të parë pas shumë e shumë viteve. Deri atëherë lëvizjet spontane apo të organizuara të qendresës shqiptare në Kosovë nuk e kishin pasur këtë element thelbësor, tani forcat politike ilegale e kërkonin këtë, ndoshta edhe duke pasur parasysh përvojat e deriatëhershme. Adem Jashari do të ishte njëri nga të parët që do e kërkonte këtë, si forcë madhore për të krijuar qendresën e armatosur dhe luftën deri në fitore.

 

        Sado thellë që të futesh në jetën dhe rrugëtimin e këtij njeriu nuk do të gjesh dot asnjë rast të vetëm, qoftë edhe krejt minor, në të cilin ai do të kërkonte të shfaqej si figurë kryesore. Fjalëpak si rradhë kush, ai do të bëhej edhe më i heshtur kur do të ishte fjala për rolin e tij. Në mënyrë këmbëngulëse ai nuk e kërkoi asnjëherë krijimin e figurës së tij si prijës apo lider, gjithçka ndodhi mrekullisht vetë, pa asnjë dekret dhe fjalë.

 

        A kishte pasur raste kur ai do të shfaqej haptas si njeri themelor i luftës që po vinte? Sigurisht që ka disa të tillë.

 

        Është i njohur fakti se rrethimi i parë i kullave të Jasharëve ndodhi me 30 dhjetor të vitit 1991. Në shtëpi ishin të tre djemtë, Rifati, Hamza dhe Ademi, ishte i ati i tyre, baca Shaban, ishin pjestarët e tjerë. Rrethimi kishte filluar që në orët e vona të mbrëmjes dhe, si do të dëshmonin më vonë pjestarët e familjes Jashari, ka qenë i pritur prej tyre. Ishte piku i dimrit, ftohtë i jashtëzakonshëm, gjithkah ishte mbuluar nga dëbora. Tre burrat e familjes Jashari, pas përkeshjeve të forta, do të çajnë rrethimin dhe do dalin në kahe të ndryshme, nga ku ndezin edhe një herë zjarrin e luftës. Policia merr peng 27 antarët e familjes Jashari, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra ata që i kishin mbi 13 vite, i nxjerrin me duar të lidhura, në borë, para tankut.

 

        Policët e nxjerin po ashtu edhe nënën e Jasharëve si mburojë përpara, duke dashur të hyjnë në shtëpi, gjithnjë me mendimin se Ademi ishte brenda. Ndërkohë Grupi i Drenicës ishte mbledhur. Me orët që shkonin kanë filluar të shkojnë në ndihmë të Jasharajve njerëz të armatosur nga Prekazi, nga të gjitha anët e Drenicës, por edhe me gjërë se kaq. Mali përballë kullave është mbushur me njerëz. Secili e kishte nga një armë me vete. Janë mbledhur për të gjykuar dhe u kanë thënë Jasharëve "Merrni komandën dhe udhëhiqeni luftën".

 

        Do të ishte shfaqja e parë madhore e njerëzve të gatshëm për luftë. Pas demonstratave të jashtëzakonshme në fundin e vitit 1989, kjo do të ishte tablloja e dytë e asaj që do të vinte në pasmarsin e vitit 1998.

 

        Nëse Adem Jashari do të kishte pasur konceptin e ngushtë për luftën, pra në se ai do të kishte menduar se " hajt, po ja fillojmë...", gjithë ata njerëz që kishin rrethuar malin, do të ishin një ngasje e madhe për ta bërë këtë. Një njeri i zakonshëm, i revoltuar, i gatshëm të luftojë, ndoshta do e kishte parë të arsyeshme se "mund të ja fillojmë ". Në fund të fundit do të kishte qenë e justifikueshme. Aq më shumë kjo do të kishte qenë e justfikueshme në momentet e dhimbjes vetjake, kur sheh se gjithë antarët e familjes janë peng i pushtuesit, kur burrat janë lidhur dhe nuk dihet fati i tyre. Por kjo do të ishte e natyrshme për një njeri të zakonshëm, jo për njerëz që kthejnë për së mbari historinë dhe jetën e një kombi.

 

        Adem Jashari ishte në këto të fundit, ai, që atëherë, do të hynte në plejadën e njerëzve që jo vetëm janë pjesë e historisë, por edhe e bëjnë atë. Dhe e bëjnë për së mbari.

 

        Ai nuk do të ngutej.. e kishte të qartë se asgjë nuk do të vinte për së mbari nga grykat e Velanisë, por as nuk i bëhej merak për këtë. Po të ishte puna që të pyeteshin "institucionet" e Kosovës, as për njëqind vite nuk do të kishte filluar qëndresa e armatosur, për të shkuar drejt luftës së pashmangshme.

 

        30 dhjetori i vitit 1991 do të ishte fillesa e pagëzimit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në se do të kishim pasur ngutje, në se njeriu mit do të kishte menduar se "hajt, po ja fillojmë" do të kishte qenë lehtësisht e mundshme që çdo gjë do të ishte shkatrruar e rrënuar, ani pse njeriu që do e kishte filluar do të kishte mbetur në histori.

 

        Adem Jashari nuk ishte nga ata burra që donte ta fillonte dhe të mbeste në histori. Ai donte të bënte një ngrehinë të tillë që, jo vetëm ta fillonte, por edhe ta përfundonte, dhe kjo nuk mund të bëhej ndryshe, veçse e strukturuar mirë, jashtë dhimbjes vetjake. Ai kërkonte të hidhej themeli i fuqishëm, i palagështitur, dhe dhimbja vetjake sigurisht që do e bënte të lagësht.

 

        Në vitin 1993, në një fjalim publik, me rastin e varrosjes së dy dëshmorëve, Ukshin Hoti, vizionar dhe njëkohsisht dinjitoz si ai, do të thonte krejt hapur se "Kosovës i duhet Ushtria e saj Çlirimtare". Do të ishte e njëjta gjë që do të sendertonte Adem Jashari, pasi e kishte kërkuar atë, pasi kishte punuar për ta patur atë. Mendimi vizionar, i thënë krejt shkurt nga Adem Jashari, e po ashtu krejt saktë se "Armët nuk i kam marrë për të ja dorëzuar Serbisë, por që të bëj luftën kundër saj", është krejt i njëjtë me përqasjen filozofike të Ukshin Hotit, për domosdoshmërinë e krijimit në Kosovë të ushtrisë së saj Çlirimtare.

 

        A do të kishte qenë e mundur që të kishte ndodhur krejt ndryshe, pra të kishte një fillesë lufte dhe, më pas, nuk do të dihej se çfarë do të kishte ndodhur? Është e sigurtë se, nëse do të kishte pasur ngritje të shpejtuar, humbjet do të kishin qenë të rënda dhe ndoshta të parikthyeshme. Në fundin e vitit 1991 Kosova nuk ishte e përgatitur për luftën që do të vinte. Ajo sapo kishte dalur nga protestat masive të një viti më parë, në të cilat kishte pasur edhe humbjet e ndjeshme të Afrim Zhitisë, Fahri Faslisë dhe të tjerëve. Në se demonstratat e atyre ditëve kishin qenë sinjali i parë i luftës që po afrohej, dhjetori i vitit 1991 ishte guri i parë i provës, provë, përmes së cilës mund të kalonin vetëm ata që do të ishin të gatshëm për aktin suprem të flijimit të madh.

 

        Mendimi vizionar i Adem Jasharit për të ngritur në rradhë të parë strukturat e luftës, mbështetur jo vetëm tek një njeri, tek një familje apo tek një fis dëshmoi se kishte qenë i drejtë dhe i saktë. Fakti se rreth tij u mblodhën, në një mënyrë ose në një tjetër, nga larg ose nga afër, të gjithë ata që do të ishin njëkohsisht pjesë dhe realizues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të çon pashamngshëm tek mendimi tjetër: cilët ishin ata tek të cilët Adem Jashari kishte falur besimin e tij të madh dhe kishte rrokur besën se do i shkonin punëve deri në fund.

 

        Është lehtësisht e dallueshme se, kushdo që ka ecur nëpër rrugëtimin e luftës, në një mënyrë ose në një tjetër, ka pasur lidhje ose ka qenë i përfshirë në strukturat që lidheshin me Adem Jasharin. Nuk ka asnjë dekret të posaçëm për të, edhe po të ishte kërkuar të dilte një dekret i tillë, Adem Jashari do e hidhte poshtë. Edhe kur bëhet Mbledhja e njohur e 5 prillit 1993 në Kullën e Jasharëve, ai nuk e vendos veten mbi të tjerët, sepse as që e ka ndër mend një gjë të tillë. Fjalë pak si gjthnjë, atë e brenin rishtas dy halle të mëdha: ecuria e Ushtrisë që po ngrihet, emërtimi i saj dhe, më e rëndësishmja, ai rikthehet tek mendimi tij për përgjegjësinë e aksioneve. Mbledhja e 5 prillit në Prekaz është njëra ndër më të rëndësishmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga emrat e njohur të luftës do të jenë pjesë e saj, mes të cilëve edhe Fadil Kodra, Hamit Jashari, Sahit Jashari, Besim Rama, Rafet Rama, Hashim Thaçi, Jakup Nura, Ilmi Zeka, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku e të tjerë. Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ajo ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijëtar të Adem Jasharit.

 

        Megjithatë ai kurrë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, por e gjithë kjo, brenda Kosovës, u bë krejt natyrshëm, si diçka e zakonshme dhe e kuptueshme. Nëpër portat e atyre kullave do të hynin Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sulejman Selimi, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci, Jakup Krasniqi, Iliaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Abedin Rexha, Kadri Veseli, më parë e kishin bërë këtë rrugë Ahmet Haxhia dhe Ramadan Avdiu, më pas do të shkonin drejt saj Adrian Krasniqi dhe Duat Haredinaj, do të kishin lidhje me të Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci, kjo do të thotë se do të gjesh thuajse të gjithë emrat e njohur të luftës.

 

        Kjo nuk ka qenë rastësi dhe nuk do të ishte, po ashtu e rastësishme, që në ditët më të vështira, do e kishin të domosdoshme mbështetjen tek emëri i Adem Jasharit. Krejtësisht logjikshëm ai u bë qendra e luftës, dhe rrjedhja e mëpasme e ngjarjeve dëshmoi vërtetësinë e thënies së Shaban Jasharit se "besën po ua jap, nëse kërcet në Prekaz, ka me kërcitë në të gjithë Kosovën".

 

        Sidoqoftë unë do të desha të sjell tre shembuj, krejt shkurt.

 

        është i njohur fakti se Zahir Pajaziti, po ashtu një emër i njohur i luftës, ndoshta nga të paktit drejtues të strukturave të saj që nuk ishte takuar përsonalisht me Adem Jasharin, në natën e 31 janarit 1997, kur edhe do të vritej, kishte njërin ndër synimet e tij, takimin me Jasharët.

- 

-       në fillimin e marsit 1998 do të ndodheshin në Prekaz edhe dy nga figurat emblematike të luftës, Rrustem Mustafa dhe Rrahman Rama. Megjithëse vinin nga dy zona të ndryshme, ata kishin prirë drejt Prekazit për të njëjtin qëllim: të takoheshin me Adem Jasharin dhe të merrnin mendimin e tij në se kishte ardhur koha të ja fillonin luftën.

 

-          në të njëjtën kohë, pra krejt në fillimin e marsit 1998, dy drenicakë, njëri nga të cilët do të dëshmonte më pas se ishte i denjë të hynte në historinë e kombit si njëri ndër herojtë e mëdhenj të tij, Fehmi Lladrovci dhe Sami Lushtaku, kishin braktisur Gjermaninë dhe po ktheheshin përfundimisht në Drenicë. Gjithë rrugës, kur ende nuk e kishin marrë lajmin për vrasjen e Jasharëve, ata kishin vetëm një brengë: çfarë do u thonte Adem Jashari, çfarë do i thonin ata, si do i priste ai...

 

        Sepse kjo ishte forca e këtij njeriu. Kalimi përmes miqësisë së tij ka qenë, si të thuash, pa dashje, një gur prove, një moment i rëndësishëm i jetës prej luftëtari.

 

        Adem Jashari i kthehej gjithnjë mendimit të tij vizionar se duheshin ndryshuar rrjedhat e qendresës dhe se këtë nuk mund ta bënte vetëm një njeri, cilido qoftë ai. Ai, në mënyrë të pashmangshme ishte ndër vizionarët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e sendertoi faktin se lufta nuk ishte pragu i shtëpisë, nuk ishte caku i fundit i oborrit, sinori i fshatit apo mali përballë. Lufta ishte më e gjërë se kaq dhe për motive shumë më thelbësore, për të cilat ia vleje të luftoje dhe të sakrifikoheshe.

 

        Adem Jashari bëri më tej në këtë rrugë.

 

         Njëkohsisht ai po shkruante edhe vizionin e ri të kohës që po vinte dhe këtë nuk po e bënte me fjalë të mëdha, por krejt natyrshëm, duke kaluar përmes gjërave të shenjta për të.

 

Cilat ishin gjërat e shenjta të Adem Jasharit...

 

* * *

·        Flamuri ishte gjëja tjetër e shenjtë e Adem Jasharit. E kishte në ballin e kullave, e kishte në maqinën e tij, e kishte nëpër këngët që i dinte, e kishte në mal me vete, në fund të fundit e kishte aq pranë sa u bënë pjesë e njëri tjetrit. (…) Për besë, edhe sikur dhjetë herë shtet të ishte Kosova dhe të kishte dhjetë flamurë shtetërorë, Adem Jashari nuk do të ndahej nga flamuri dyshkabash, i cili ishte pjesë e jetës së tij.

·        Në dhjetorin e vitit 1997 Adem Jashari dhe Grupi i Drenicës dërgojnë një letër, letra e fundit e tyre kjo, në strukturat që i takonin. Janë disa faqe, të shkruara nga Hamza dhe e firmosur nga të gjithë të tjerët. Në të gjitha rrjeshtat nuk është shkruar asnjë fjalë për vete, asnjë fjalë për familjen e tij dhe nuk e kishte pasur kurrë, gjithë jetës së tij, në mend një gjë të tillë. Me një respekt të jashtëzakonshëm shkruan për Abedin Rexhën dhe luftën e tij, tregon se si luftuan shokët, si vepruan për të patur një qendresë sa më të fuqishme dhe vetëm në fund, si duket duke e ndjerë se lufta do të ishte shumë më tepër se deri atëherë, bën një kërkesë, tepër të zakonshme, "kemi nevojë për më shumë armatim".

·        Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë, ashtu si njerëzit e zakonshëm hyjnë e dalin nëpër oborrin e shtëpisë së tyre. Mbi të gjitha miti i tij, legjenda dhe e verteta për të ka një akt kulmor, në tri kohë të ndryshme, që lidhet me tri rrethimet që i janë bërë kullës së tij.

 

        Në jetën e kujtdo, pra edhe në jetën e Jasharëve, zënë vend natyrshëm gjërat që i kanë më për zemër, që i kanë bërë të shenjta dhe i mbajnë ashtu, deri sa të kenë frymën e fundit. Adem Jashari, njeri i fjalës së paktë, kishte bërë shenjtërimin e gjërave, për të cilat, jo vetëm i a vleje të luftoje, por edhe të flijoheshe. Kur e kishte menduar një gjë të tillë, ai e kishte quajtur çdo gjë të zakonshme e normale, njëlloj si ditët e jetës së përditshme, si frymëmarrja e zakonshme apo përtëritja e stinëve.

 

         Por le të sjellim disa shembuj për të shkuar tek gjërat e shenjta të Adem Jasharit dhe të gjithë Fisit të tij.

 

         Shembulli i parë ose shenjtërimi i parë :

         Në thyerjen e natës së 30 janarit 1991 ndodh rrethimi i parë i Jasharëve. Tre djemtë e shtëpisë, Rifati, Hamza dhe Ademi, pasi nisin luftën, çajnë rrethimin dhe zënë vend bri malit, pikërisht aty ku sot ndodhen varrezat. Prej atje vazhdojnë të luftojnë, pasi u kanë ardhur në ndihmë edhe bashkëluftëtarët e tyre.

 

         Baca Shaban ka qëndruar gjatë tërë kohës në kullë, stoik si ai, i qetë, duke e ditur se tashmë lufta ka nisur dhe si çdo luftë, edhe ajo do të ketë të rënët e saj. Policia serbe, pasi kishte lënë të vrarët e parë, përforcohet me mjete luftarake: vijnë helikopterët, tanku fillon të lëvizë drejt kullave dhe më në fund futen në oborrin e shtëpisë.

 

         Kur futen brenda, njëri prej drejtuesve të policisë serbe e pyet bacën Shaban: "Të kujt janë gjithë këto shtëpi dhe pasuri?".

 

-          Të miat, të djemve dhe të nipave të mi - i a kthen baca Shaban, ndërsa oficeri, duke parë rreth e rrotull, gjithë atë mall e gjë, i drejtohet edhe një herë plakut të urtë: "A kanë mend këto djemtë e tu që po luftojnë, kur i kanë gjithë këto të mira?"

-          Po, i kanë, veç liri nuk kanë - i kthen baca Shaban dhe ata fillojnë ta godasin, të tërbuar nga përgjigja e qetë dhe e urtë e plakut të shtëpisë. Pastaj fillojnë e godasin edhe Lulëzimin që bën ti dalë për zot gjyshit të tij.

 

         Në të vertetë Jasharët i kishin të gjitha, mall e gjë, shtëpi të ngritura dhe që mund të ngrinin edhe në të ardhmen, toka dhe livadhe, vaden e ujit dhe maqina, një jetë të sigurtë ekonomike dhe mund ta shkonin ashtu gjithë jetën e tyre, duke pritur që dikush tjetër t'i lëviste gjërat nga vendi. Mund ta bënin këtë. Jo pak e kishin bërë, ishin mbyllur rreth avllisë së oborrit të tyre sa pa rënë nata dhe kishin fjetur, në gjumin e madh të harresës.

 

         Adem Jashari nuk mund ta bënte këtë, sepse e kishte të shenjtë lirinë. Dhe nuk e kishte në përmasa të zakonshme, ashtu si mund ta kenë edhe shumë të tjerë. Ai i falej asaj, e adhuronte atë, e kishte vënë mbi veten dhe mbi gjithë fisin e tij.

 

         Kjo do të thonte se ai kishte pasur një fillesë të mbarë drejt pavdekshmërisë. Nuk e kishte bërë me mendje një gjë të tillë. Zakonisht gjërat e shenjta njerëzit i mbajnë thellë vetes së tyre. Adem Jashari e kishte mbajtur kështu, thellë vetes, dëshirën për të qenë i lirë, qoftë edhe me kulla të djegura, qoftë edhe pas rënies së tij.

 

         Shembulli i dytë ose shenjtërimi i dytë :

         Ishte viti 1989. Kohë e turbullt, por jeta duhej vazhduar gjithësesi. Duheshin përshpejtuar brezat, duheshin bërë dasmat, duheshin marrë nuset. Mirëpo në këtë vit fatkob policia serbe dilte nëpër rrugë, ndalonte krushqit e dasmorët, i zbriste nga makinat apo u prente udhët, i hiqte flamurin dyshkabash dhe ua shkilte me këmbë, ua griste dhe pastaj fillonte të qëllonte. Kështu kishte ndodhur jo vetëm në këtë vit fatkob, kështu kishte ndodhur që kur mbahej mend se kishim filluar të jetonin nën shkja. Kishte pasur këngë për njerëzit që nuk e kishin hequr flamurin dhe ishin vrarë për të. Por në fundin e një shekulli kjo ishte edhe më e rëndë.

 

         Në këtë vit martohej një mik dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit. Më pas ai do të ishte edhe përfaqsuesi i tij në perëndim, Ramiz Lladrovci "Veshi". Njerëzit në shtëpinë e vjetër të Lladrovcëve ishin bërë gati të niseshin për të marrë nusen. Në dhomën e dasmorëve hyri Fehmi Lladrovci.

         "O njerëz, u tha, po nisemi me marë nusen" Të tjerët miratuan me kokë dhe dikush bëri të ngrihej. Fehmiu vazhdoi. "Nusen do e marrim me flamur". Të tjerët përsëri tundën kokat. " Mirëpo flamurin nuk e japim. Në se dalin përpara milicët serbë, luftën e bëjmë dhe flamurin nuk e japim. Mendohuni mirë, kush e ndjen veten të aftë për të mbrojtur flamurin, le të bëhet gati, të tjerët, nuk ua marrim për të keq, le të rrinë në shtëpi".

 

         Kur doli nga dhoma, Fehmiu u tha miqve të afërt: "Çojini fjalë Adem Jasharit, tregoni se po shkojmë të marrim nusen me flamur dhe flamurin nuk e japim".

 

         Asaj dite Ademi kishte një rast gëzimi në shtëpinë e tij. Mirëpo i lë të gjitha, merr makinën, e ngarkon me pushkë automatike dhe mitraloz, fut në sediljen prapa bombat e borës dhe fishekë të tjerë, mbështjell rreth saj flamurin e madh, mbi kokë vë kësulën e bardhë dhe niset.

 

         E kishin thirrur miqtë e tij. Por nuk ishte vetëm kjo, atë e kishin thirrur se donin të mbronin flamurin, se ishin të gatshëm të luftonin për flamurin dhe e dinin mirëfilli se asaj dite duhej një burrë si Adem Jashari. Flamurit i duhej një njeri i tillë. Ishte viti 1989, dy vite para se të ndodhte rrethimi i parë i kullës së tyre dhe të niste kështu të shkruhej historia e legjendshme e Jasharëve.

 

        Kam pyetur më vonë tek Lladrovcët, se si kishte ndodhur më pas. Makinat ishin nisur. Në mesin e tyre qëndronte Adem Jashari, i heshtur, i bindur se po bënte detyrën e tij, i gatshëm të sakrifikohej. Si duket policët kishin marrë vesh se do të kishte qëndresë, askush nuk i ndali. Në shtëpinë e nuses u shkrepën armë sa të dëgjoheshin dhjetra kilometra tej, por as në kthim askush nuk i ndali.

 

         Më shumë se dhjetë vetë ma kanë treguar këtë histori. Të gjithë njëlloj dhe të gjithë, po ashtu, njëlloj të gëzuar se u kishte rënë në fat të udhëtonin një herë me Adem Jasharin për të mbrojtur flamurin.

 

         Flamuri ishte gjëja tjetër e shenjtë e Adem Jasharit. E kishte në ballin e kullave, e kishte në maqinën e tij, e kishte nëpër këngët që i dinte, e kishte në mal me vete, në fund të fundit e kishte aq pranë sa u bënë pjesë e njëri tjetrit.

 

         Për besë nuk e di se çfarë do të kishte thënë AdemJashari për flamurin e sotëm të Kosovës. Nuk e di, por mendja ma merr se do të kishte rrudhur supet, do të ishte munduar të gjente diçka nga ajo që kishte pasur dhe në se nuk do e kishte gjetur, do të kishte thënë " le të jetë hë për hë edhe ky, deri sa të bëhemi një shtet dhe vjen prap flamuri ynë, që edhe kështu nuk po e heqim".

 

         Për besë, edhe sikur dhjetë herë shtet të ishte Kosova dhe të kishte dhjetë flamurë shtetërorë, Adem Jashari nuk do të ndahej nga flamuri dyshkabash, i cili ishte pjesë e jetës së tij.

 

         Shembulli i tretë :

         Isha mik një natë tek familja e Jasharëve dhe, pas bukës, ndërsa po pinim çajin tradicional, të cilin unë e pëlqej vetëm kur jam me drenicakë, filluam të shohim disa filmime nga jeta e familjes së tyre, para ngjarjeve të marsit të vitit 1998. Ishte një ditë e zakonshme, krejt e zakonshme, gjithë diell, ftohtë, pasi kishin ngrirë rrëkezat e ujrave dhe Adem Jashari ishte me fëmijë dhe nipër në oborrin përbri. Fëmijët po luanin me njeri tjetrin, ai krasiste diçka, pastaj fliste e luante me fëmijët, diçka i ngacmonte dhe ata i përgjigjeshin, pushka ishte lënë pak mënjanë, kishte një sopatë në dorë dhe herë pas here çante dru. Sytë i shkelqenin më shumë se zakonisht, ndjehej se ishte i lumtur në këtë çast pushimi, kur kishte lënë pas, qoftë edhe përkohsisht punët e luftës. Herë pas here shikonte andej nga ku duhej të ishte mali.

 

         Pastaj e kam parë tek rrinte me nënën e tij, mbesen e Shaban Polluzhës së njohur, e kam parë tek ia merrte duart e buta , me rrudhat e moshës, në duart e tij të forta, por që jo rastësisht i përkdhelnin aq butë. I sherbente asaj, i a rregullonin dy djemtë, ai dhe Hamza, jastëkun pas supeve, qeshnin me të, pastaj diçka i thonin për vitet e saj që nuk po plaknin dhe, pas një copë here, ndërsa po nisej për në aksion, i thonte, krejt zakonshëm, si të shkonte për një punë të çfarëdoshme " hajt, natën e mirë e bafshi".

 

         Gjithshka ishte më shumë se e zakonshme, ishte , si të thuash, një fragment nga jeta e secilit bujk . Kushdo mund të ishte ai, por në se e vështroje me vemendje , mund të dalloje shumë lehtësisht mallin e tij, ndjenjën e afërsisë, të respektit dhe të mirënjohjes për familjen e tij.

 

         Adem Jashari e kishte të shenjtë familjen e tij. Ky ishte një tjetër shenjtërim i tij. Ai përgjërohej për nënën dhe fëmijët, për dajallarët dhe nipërit e mbesat, kishte një marëdhnie shumë të afërt me të atin e tij, si prind, si mësues dhe si prijës, bënte hoka me të vllain e tij më të madh, të cilin e vinte mbi gjithçka.

 

         Rifat Jashari kujton, kur u kthye në vitin 1996, ilegal në shtëpinë e tij:

         "Kur shkova të flë, Ademi m'i solli armët dhe disa bomba, ndërsa unë i thashë: "Largomi këto "hekura" se unë nuk rehatohem natën". Ademi më tha "Ja ku i ke dhe bën çfarë të duash me to". Para se ta mbyllte derën e dhomës, më dha një porosi: "Nëse vijnë më tepër se dhjetë policë, lajmëromë, për më pak, bëj çka të duash se nuk e prishi gjumin".

 

         Ai kishte të drejtë të shejtëronte familjen e tij, e cila, asnjëherë, edhe në momentet më të vështira nuk i tha se ku po shkon në rrugën e tij dhe se mund të kishte pasoja e gjithë familja. Asnjëherë nuk i thanë të mos bënte tutje, por i ndenjën aq afër, sa në fund dhanë edhe jetën me të.

 

         Gjithë jetën, për 300 vite me rradhë fisi i Jasharëve kishte qenë në të këputur të perit të jetës. Gjithë jetën kishte qenë vetëm një trashëgimtar, vetëm baca Shaban do të kishte tre djem. Dhe ky fakt, tronditës deri në thelbin e tij, do të përbënte edhe kujdesin e jetës së Ademit.

 

         Shpesh herë, miq e dashamirë, ikshin përpjekur të largonin disa nga djemtë e vajzat e familjes së Jasharëve. Nga njëherë edhe i kishin marrë me vete dhe ishin nisur për rrugë, por në kthesën e parë, nipërit e mbesat kishin bërë pas dhe ishin kthyer. Askush nuk mund t'i hiqte prej vatrës së tyre.Askush nuk mund t'i ndante nga njëri tjetri.

 

         Tregon Rifat Jashari :

         "Thirra një herë në shtëpi dhe fola me Fitimin, një djalë timin. Më tha se po lasdrohem mor babë. "lazdrohu, lazdrohu, i thashë, se tash vij në shtëpi dhe flasim për lazdrimin tënd. "Eh babush, babush, më tha, kur të vish në shtëpi të ka marrë malli, besa të ka këputë malli e ke me e harrue lazdrimin tim". Ka djalë, që po "lazdrohej", në natën e 6 marsit do të vritet në oborrin e shtëpisë, duke luftuar me mitraloz, por nuk e kishte bërë mendjen të ikte nga shtëpia.

 

         Në netët e njohura të marsit, kur e gjithë shtëpia ishte rrethuar trefish dhe rrethimi vazhdonte të thellohej, e gjithë familja e tij ishte aty. Pak më parë, katër nipër e mbesa ishin nisur tek dajallarët, të tjerët ishin aty. Ata që mund të luftonin kishin marrë armët. Të tjerët kishin pritur se mos burrave të shtëpisë u duhej ndihma e tyre. Nuk e kishin bërë ndër mend të dorëzoheshin, të prangoheshin, të torturoheshin, të merreshin nëpër këmbë. Kishin bërë mend të vdisnin në se do të duhej.

 

         Dhe kishin ecur deri në fund në rrugën e njohur të qëndresës, duke u bërë pjesë dinjitoze e mitit të Jasharëve. Nuk do të kishte mundur të donte Kosovën apo Shqipërinë, ashtu si i donte Adem Jashari, në se nuk do të kishte adhuruar familjen e tij dhe në se kjo familja nuk do të kishte qenë pjesë e dinjitetshme e jetës së tij.

 

         Shembulli i katërt :

         Në dhjetorin e vitit 1997 Adem Jashari dhe Grupi i Drenicës dërgojnë një letër, letra e fundit e tyre kjo, në strukturat që i takonin. Janë disa faqe, të shkruara nga Hamza dhe e firmosur nga të gjithë të tjerët. Në të gjitha rrjeshtat nuk është shkruar asnjë fjalë për vete, asnjë fjalë për familjen e tij dhe nuk e kishte pasur kurrë, gjithë jetës së tij, në mend një gjë të tillë. Me një respekt të jashtëzakonshëm shkruan për Abedin Rexhën dhe luftën e tij, tregon se si luftuan shokët, si vepruan për të patur një qendresë sa më të fuqishme dhe vetëm në fund, si duket duke e ndjerë se lufta do të ishte shumë më tepër se deri atëherë, bën një kërkesë, tepër të zakonshme, "kemi nevojë për më shumë armatim".

 

         Sa herë që e kam lexuar atë letër, kam menduar për njeriun që i kishte vënë shokët mbi veten e tij, që e kishte të shenjtë miqësinë dhe fjalën e dhënë, që nuk e fillonte kurrë nga vetja, por nga të tjerët.

 

         Është i njohur fakti se Ademi ishte fjalëpak. Nuk i donte dhe as nuk i duronte fjalët e gjata. Por e donte miqësinë me njerëzit e luftës, me njerëzit e zakonshëm, nuk u thonte kurrë fjalën e rëndë. Sepse ndonëse nuk fliste gjatë, bile - bile fliste tepër pak, ai e nderonte fjalën.

 

         Në gjithë rrethimin e parë, të 30 dhjetorit 1991, Adem Jashari, si e mban mend i vllai i tij, Rifati, ka folur veç dy herë. Herën e parë i thonte të vllait "Veç mos e lësho frontin aty". Herën e dytë, kur i është afruar kullës, policët serbë kishin qenë duke hyrë në oborr. Menjëherë ka hapur zjarr mbi ta, duke i sharë në atë serbishten që ai e dinte fare pak: "Ku po shkoni he nënën e çetnikëve ua ..." u ka bërtitur atyre dhe për nja 4-5 minuta aty i ka shkuar flakë e verdhë.

 

         Askush nuk e mban mend që Adem Jashari ti ketë thënë fjalën e rëndë. zakonisht, si kujtojnë shokët e tij, ai për dikë që nuk e donte thonte veç " hajt hup aty", si për të dashur ta bënte të paqenë njeriun që nuk e dëshironte, por fjalën e rëndë nuk i a thonte. Sepse e nderonte fjalën si rradhë kush, edhe pse e fliste në të rradhë.

 

         Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë, ashtu si njerëzit e zakonshëm hyjnë e dalin nëpër oborrin e shtëpisë së tyre. Mbi të gjitha miti i tij, legjenda dhe e verteta për të ka një akt kulmor, në tri kohë të ndryshme, që lidhet me tri rrethimet që i janë bërë kullës së tij.

 

           Çfarë ndodhi në tri rrethimet e kullave të Jasharëve?...

 

*  *  *

·        Një ditë para sulmit, aty nga mesdita, Rifat Jashari, gjithnjë me merakun për njerëzit e tij, bisedon në telefon me Hamzën. Pas fjalëve të zakonshme, fjala është për një armatim të rëndë, i cili mjerisht ende nuk kishte arritur në Prekaz. Edhe në qeverinë e atëhershme " të Bukoshit", ku kishin kërkuar 600 mijë marka, për të blerë 1000 automatikë, kishin gjetur një derë të mbyllur.

-          "Çka i keni hallet"- pyet Rifati

-          "Veç po pritet momenti"- i përgjigjet Hamza.

-          "A keni tesha me dalë deri në verë"- e pyet përsëri Rifati, duke nënkuptuar armët.

-          Tjetri atje larg e kupton dhe i thotë: "Me këto armë që kemi, besoj se do t'ja dalim".

 

     18 orë më vonë, pas kësaj bisede në Prekaz do të nisë lufta…

 

·        Është një dëshmi tronditëse, por edhe e jashtëzakonshme. Sepse gjithçka që u zhvillua në ato tri ditë ishte e jashtëzakonshme, ishte epike, ndoshta e papërsëritshme në të gjithë historinë botërore. Nuk njoh një rast tjetër të tillë, kur 57 vetë të një fisi dhe të një ideali, do të jepnin jetën " si me le", nuk njoh ndonjë rast tjetër, kur në tri ditë lufte, 27 vetë të një familje do të flijoheshin.

  

          Kullat e Jasharëve në harkun kohor të shtatë viteve janë rrethuat tri herë nga forcat policore serbe, ushtarake e paraushtarake, që nga çetnikët e zakonshëm dhe deri tek kryeçetniku, krimineli i njohur Arkan. Kjo është e njohur tashmë. Është si të thuash një e vërtetë reale që padashje të shkon në mend se, edhe kështjella e Krujës është rrethuar tri herë, që nga jeniçerët e zakonshëm dhe deri tek sulltanët.

 

          Të jetë rastësi? Ndoshta, por në jetën e Jasharëve janë kaq të shumta rastësitë e tilla, sa dashur padashur mendimi të shkon tek brysja e legjendave, formësimi i tyre. Ata u ngjizën me njera tjetrën, krejt natyrshëm, saqë shpesh herë mendon se e ke të vështirë të gjesh se ku mbaron miti dhe fillon legjenda, ku është e vërteta dhe mitizimi. Mirëpo, kur qetësisht ndjek gjithë rrjedhën e ngjareve, "rastësitë" që nuk janë më si të tilla, e kupton se më shumë se gjithçka ishte një domosdoshmëri, kërkesë për rilindje të kombit.

 

          Rrethimi triherash i Jasharëve është si në tregimet biblike, dhe po ashtu si në ato tregime, pas tyre vjen ringjallja, ringritja. Dhjetë vite pas është e natyrshme të dihet, ose më saktë të shpallet, se çfarë ndodhi pas secilit rrethim të Jasharëve, çfarë gjëje e re ndodhi në jetën e kombit, shkuan huq ata si mund të kenë shkuar shumë gjëra të tjera, apo u sendertuan diku.

 

          Shkurt mund të thuhej se rrethimi i parë zgjoi krejt Drenicën, mund të thuhet se rrethimi i dytë i Jasharëve zgjoi Kosovën, ndërsa rrethimi i tretë ishte akti madhor që zgjoi gjithë shqiptarët, kudo që ishin.

 

          Rrethimi i parë bëri të ditur se ishte shpallur qëndresa dhe kjo do të vinte përmes njërit nga zërat më të ndjeshëm të rezistencës, Drenicës; rrethimi i dytë qartësoi se Kosova kishte filluar rilindjen dhe se burrat, që kishin vendosur të mos ia kthenin shpinën pushtuesit, ishin ende në Kosovë, të strukturuar reth ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; rrethimi i tretë hodhi këmbanat e zgjimit për të gjithë shqiptarët si çasti i mbramë dhe shansi i fundit që mund të kishim për të qenë komb i lirë në të gjitha përmasat e kombit, ose më saktë, në të gjitha përmasat e mundshme, sa më të mundshme të kombit.

 

          Disa herë në këtë shkrim i jemi rikthyer rrethimit të parë të Jasharëve në natën e 30 dhjetorit të vitit 1991. Ajo që ka tërhequr vemendjen gjithnjë është bulimi i njerëzve me armë në malin bri kullave të Jasharëve, sikur e gjithë Drenica ishte shkulur aty. Ky është një fakt që dihet, por ajo që ende nuk është spjeguar mirë qëndron në të vërtetën se si është e mundur, që në fundin e vitit 1991, ashtu papritmas, pa asnjë thirrje, në të kundërtën e asaj që predikohej në Velani, për urtësim dhe bindje, të mblidheshin në fare pak orë me qindra e mijëra burra. E pra ishte fund viti, ishte dimër, natë e ftohtë, rrugët e zëna jo vetëm nga bora, por edhe nga forcat policore, e megjithatë, pa asnjë lloj urdhëri, burrat vinin të luftonin.

 

          Kaq vite pas kësaj ngjarje duhet menduar për dy gjëra: për atë mekanizëm të jashtëzakonshëm, i cili i vë në lëvizje njerëzit, gjithnjë e më shumë drejt së panjohurës të qëndresës, drejt aktit final, luftës, si drejt një gjëje të zakonshme. Dhe e dyta, fakti që ato nuk po shkonin drejt kujtdo, sepse deri në atë kohë shumë njerëz ishin sulmuar, kishte të vrarë, kishte të burgosur, flamurë të çjerrur, mirëpo njerëzit, edhe pse kishin pasur dhimbje, në të shumtën kishin qëndruar në shtëpitë dhe vatrat e tyre.

 

          Tani ishte vënë në lëvizje një mekanizëm tjetër, krejt i panjohur për liderët politikë legalë, i kuptueshëm vetëm për ata që e kuptonin lirinë se diçka tepër jetësore, për të cilën nuk duhen fjalë të mëdha. Por ata nuk e jepnin veten thjeshtë e rastësisht; kishin pritur një shembull të madh, një shembull që i a vlente të ecje pas tij, dhe kur e kishin gjetur, kishin filluar lëvizjen masive, ashtu si ortekët.

 

          Drenica, duke e pasur shembullin më afër se të tjerët, duke e pasur pjesë të vetes dhe bir të saj, kishte lëvizur e para. Sikur për asgjë të tjetër të mos ia kishte vlejtur kjo ditënatë, thyerja e 30 dhjetorit dhe agimi i 31 dhjetorit, qoftë edhe vetëm për këtë fakt, ajo është e bekuar në historinë e kombit. Njerëz, mos e harroni këtë.

 

          Rrethimi i dytë i Jasharëve ndodhi me 22 janar 1998. Përsëri dimër, natë, ftohtë përsëri, në kulla do të ndodheshin djemtë e shtëpisë, baca Shaban dhe Hamza. Ndryshe nga herët e tjera, në sulmin e 22 janarit nuk do të marrë pjesë ushtria serbe, kishte ardhur pararoja e saj. Nuk do të ketë tanke, helikopterë, por "tigrat e çartur" të kriminelit Arkan janë ata që do të marrin përsipër thyerjen e rezistencës.

 

          Në errësirën e natës, si hienat, paramilitarët e Arkanit janë shpërndarë dyerve të oborrit të kullave të Jasharëve. Kanë nisur me sulmin me synimin për të djegur e vrarë gjithçka që del përpara, fëmijë apo plak qoftë, njeri apo edhe një pulë qoftë. Ata kanë tentuar të hyjnë njëherësh në shtëpi dhe në kullë. Në kullë kanë hasur në rezistencë, sepse aty ka qenë baca Shaban dhe nipat e tij, Fitimi, Besimi dhe Kushtrimi dhe të gjithë kanë pasur armë dhe kanë luftuar me serbët për më shumë se një gjysëm ore. Mund ta mendoni këtë, në njërën anë banditë dhe kriminelë të sprovuar, dehur luftrash dhe krimesh, në kahun tjetër djem të rinj, ende pa kaluar nga fëmijria në rininë e herëshme.

 

          Prej kullës është gjuajtur me automatikë dhe mitralozë, ndërsa Hamza, prej shtëpisë ku ka qenë, ka hedhur në drejtim të çetnikëve bomba dore, me çka serbët e shohin se kanë ndeshur në rezistencë të fortë dhe tërhiqen.

 

          Adem Jashari nuk ndodhej asaj nate në shtëpi, sepse ishte te dajat në Llaushë, mirëpo askush nuk e ka ditur në se ishte ai apo nuk ishte brenda, pasi nipat, djemtë dhe burrat e shtëpisë bënin atë që duhej të bënin.

 

          Rrethimi i dytë kishte ardhur pas shfaqjes së parë publike të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuajse dy muaj më parë, me 28 nëntor 1997. Pas fjalëve kishte ardhur koha e pushkës. Njerëzit e kishin dëgjuar fjalën e tre drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe, megjithëse ishin tubuar për një rast të dhimbshëm, si ishte vrasja e mësuesit Halit Geci, ishin ngritur në këmbë dhe në përjashtim nga çdo rregull, kishin duartrokitur, kishin thirrur, kishin brohoritur. Kishte ndodhur diçka e re, e jashtëzakonshme për mendimin politik, krejt të ndryshkur, për të thënë butë kështu, në Prishtinë; kishte qenë një akt jo vetëm miratimi, por edhe mbështetje.

 

          Ndaj dita e 22 janarit 1998 ishte vazhdimi i asaj qe kishte ndodhur me 28 nëntor. Ishte momenti kur po "drenicohej" Kosova, në se mund të them kështu, dhe fakti, se vetëm gjashtë javë më pas do të kemi njëherësh tri qendra të tjera të mëdha lufte, Dukagjinin, Llapin dhe Shalën dëshmon se fara e hedhur në betejën e 22 janarit kishte qenë e frytshme.

 

          Pas kësaj dite shqiptarët e kuptuan se lufta ishte e domosdoshme, se ajo ishte në prag dhe se nuk kishte asnjë rrugë tjetër. Njeriu që ishte vënë në krye të atyre që kishin vendosur të luftonin tashmë u ishte përgjigjur të gjitha dyshimeve dhe pyetjeve të lodhshme: "A mund të luftohet me Serbinë", " A do ja dalim", "deri ku mund të shkojmë", etj etj. Ndryshe nga sa do të thonte çdo ditë të premte në konferencat e lodhshme të shtypit njeriu i vetmuar i Velanisë se, "Kosova në një luftë me Serbinë nuk mund të qëndrojë as dy tri ditë", njeriu i heshtur, Adem Jashari, kishte bërë deri me 22 janar vetëm " dy konferenca", të dyja me armët që kishte ai dhe shokët e tij, dhe të dyja e kishin zgjuar popullin e Kosovës më shumë se miliona fjalë të pabukshme.

 

          Pas 22 janarit, të dyja palët, sepse tashti ishin dy palë si në çdo luftë, mendojnë e ka ardhur koha e ditës së fundme: serbët mendojnë se ka ardhur koha e ditës së fundme të Adem Jasharit dhe me këtë do të shkatrrohet e gjithë ngrehina e ngritur prej tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Adem Jashari mendon se ka ardhur dita e fundme e pushtimit serb të Kosovës. Janë dy llogari të ndryshme, të cilat, dashje pa dashje, duke qenë jo vetëm të ndryshme, por edhe thelbësisht të kundërta, do të sillnin patjetër një ditë tjetër. Cila do të ishte ajo?

 

          Serbia po bënte gati rreth 5000 trupa elitë për rrethimin e madh, të tretin të Jasharëve. Adem Jashari po bëhej gati të niste luftën e madhe. Serbia thirrej e çirrej se këtu kishte qenë djepi i saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kërkonte asgjë më shumë se sa të gjitha popujt e botës: mëvetsinë në trojet e veta, shtetin e tyre, bashkimin e kombit. Ishte një dëshirë tejet fisnike e njerëzore, të cilën mund ta sjellin vetëm ata që janë të denjë për t'u flijuar në emër të saj.

 

          Nëse do të kishte qenë vetëm kaq, gjërat do të ishin shumë më lehtë. Në skenën politike të Kosovës do të shfaqeshin, herë denjësisht dhe herë mjerueshëm, dy skaje, të cilat, sado që do të përpiqeshin vite më vonë t'i paraqitnin në një të vetme, nuk do të ishin ashtu.

 

          Koha do të provonte se dy njerëzit që ishin në dy skajet e një litari do të kishin filozofi të ndryshme politike, vizione të ndryshme, burrëri të ndryshme. Njëri nga Velania, mbështjellë pas shallit, do të predikonte heshtjen, durimin, përuljen dhe kur do të vinte një ditë e ardhshme, do i bënte thirrje të gjithëve të nënshtroheshin, të ndaloheshin bombardimet, pasi familja e tij, gjoja e kidnapuar, ishte në rrezik. Tjetri do të bënte thirrje për qendresë, për ringritje, për ruajtjen e emërit dhe të identitetit, për shpalosjen e flamurit, i gatshëm të vetflijohej, jo fillikat, por me të gjithë njerëzit e tij. Njëri do të përpiqej të sillte në politikën shqiptare teorinë e "mos kundërshtimit të se keqes me dhunë", tjetri do të bënte të veten thënien e famëshme të Jusuf Gërvallës " në ballë të këtij populli dhe në ballë të tij vdekja do na vijë si përjetimi më i bukur i jetës sime"

 

         Filozofia e qendresës ishte ajo që do të zinte vend në shpirtin e njerëzve që po ngriheshin. Ata kishin pritur gjatë, donin të kishin mitin e tyre, dhe këtë e gjetën. Sidoqoftë do të duhej të vinte 5 marsi që të dëshmohej se e vërteta e jetës së një njeriu dhe e një Fisi ishte shumë më e fuqishme se miti apo se legjenda.

 

          Le të vijmë edhe një herë tek ajo që ndodhi dhjetë vite më parë...

 

          Një ditë para sulmit, aty nga mesdita, Rifat Jashari, gjithnjë me merakun për njerëzit e tij, bisedon në telefon me Hamzën. Pas fjalëve të zakonshme, fjala është për një armatim të rëndë, i cili mjerisht ende nuk kishte arritur në Prekaz. Edhe në qeverinë e atëhershme " të Bukoshit", ku kishin kërkuar 600 mijë marka, për të blerë 1000 automatikë, kishin gjetur një derë të mbyllur

-          "Çka i keni hallet"- pyet Rifati

-          "Veç po pritet momenti"- i përgjigjet Hamza.

-          "A keni tesha me dalë deri në verë"- e pyet përsëri Rifati, duke nënkuptuar armët.

-          Tjetri atje larg e kupton dhe i thotë: "Me këto armë që kemi, besoj se do t'ja dalim".

 

          18 orë më vonë, pas kësaj bisede në Prekaz do të nisë lufta.

 

          Adem Jashari para se të nisnin gjuajtjet e serbëve ulet te fëmijët dhe u thotë të mos frikohen. Deri në fund ai mbetet njeriu i lidhur me njerëzit e tij. Është një luftë që zgjat tri ditë dhe tri netë. Në ditën e parë do të vritej vetëm bashkëshortja e Adem Jasharit, ndërsa ulej nga kati i tretë i kullës ku kishte shkuar për të marrë municionin reservë për burrat që luftonin. Në ditën e dytë granatimet dhe bombardimet do të vritnin fëmijët e vegjël dhe gratë e shtëpisë. Do të mbetej vetëm Besarta, rrëfimi i së cilës pastaj do të jetë aq i jashtëzakonshëm, sa të bën të kuptosh se nga ai Fis vetëm ashtu mund të flitet. Ajo do të dëshmojë për rrjedhën e luftës, për lëvizjen e burrave nga njëri pozicion në tjetrin, për Kushtrimin 13 vjeçar që do të vritej i fundit, me automatik në dorë, pasi pak më parë ishte vrarë bali Adem, do të tregonte se si " ai që vritej merrej nga të tjerët dhe skajohej në një pjesë të bodrumit, ndërsa bali Adem dhe baba Hamza me djemtë do të rezistonin në pozicionet e tyre", do të tregonte se mbështeteshin tek ajo e motra më e vogël dhe Hidajetja, vajza e bacit Rifat, ndërsa dëgjonte tek i kërcitnin kockat e thyera, por nuk rënkonin; do të dëshmonte se kur kishte kaluar oborrit, pas mbarimit të luftës, oborri ishte mbushur me trupat e vrarë të ushtarëve serbë.

 

          Është një dëshmi tronditëse, por edhe e jashtëzakonshme. Sepse gjithçka që u zhvillua në ato tri ditë ishte e jashtëzakonshme, ishte epike, ndoshta e papërsëritshme në të gjithë historinë botërore. Nuk njoh një rast tjetër të tillë, kur 57 vetë të një fisi dhe të një ideali, do të jepnin jetën " si me le", nuk njoh ndonjë rast tjetër, kur në tri ditë lufte, 27 vetë të një familje do të flijoheshin.

 

          Sulmi ndaj Jasharëve ishte vetëm një pjesë e planit të ushtrisë, policisë dhe paraushtarakëve serbë për të asgjësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mitin e saj, Adem Jasharin. Epiqendra e goditjes ishte Prekazi, por goditjet u bënë në të gjitha anët e Drenicës. Shumë shokë provuan që atë ditë, brenda ditës ose brenda natës, të depërtojnë në Prekaz, por nuk arritën. Tentuan edhe nga Rezalla, nga Abria, nga Llausha dhe nuk mundën të depërtojnë, pasi plani strategjik i Serbisë ishte i tillë, që e gjithë zona të jetë nën një rrethim të disafishtë.

 

          Adem Jashari u vra në oborrin e shtëpisë së tij, por jo për të mbrojtur pragun e shtëpisë apo ngrehinën e kullave të tij. Kishte "politikanë", edhe në Shqipërinë londineze, të cilët deshën të mbyllin luftën e UÇK-së në rrethinat e pragut të shtëpisë. Asaj kohe doli edhe një thirrje e prapshtë "të mbrojmë pragun e shtëpisë", dolën disa sejmenë për të mbledhur armë e mjete logjistike për fshatin e tyre, thua se Jasharët ishin sakrifikuar thjeshtë e vetëm për bahçen e tyre, për fisin e tyre, për fshatin e tyre.

 

          Ishte njëra nga përpjekjet për të shmangur luftën e përgjithshme, për ta copëtuar atë dhe çuditërisht bëhej nën jorganin e fjalëve të mëdha patriotike si "gjithçka për pavarësinë e Kosovës", kur natën, ashtu tinzisht, mendonin se po ikte shpejt e shpejt koha e "fshatarëve, të paditurve" dhe po vinte koha e tyre, e kompromiseve.

 

          Ajo që ndodhi pas rënies së Jasharëve i ngjan një mrekullie. Në të vërtetë askush nuk e besonte se ishte vrarë Adem Jashari. Po i kthehem një kujtimi vetjak. Pas demonstratës së 9 marsit në Shtutgart, drejtuesit e saj kishin menduar edhe për një tubim në një sallë të mbyllur, me disa qindra vetë. E kam në memorjen time atë ditë, kur gjithçka sikur kishte ngrirë në pritje të fjalës së mirë. Aso kohe, pas fjalës së zakonshme nga drejtuesit, bëheshin pyetje. Më shumë bëheshin me shkrim dhe mund të veçoj dy prej tyre. Njera ishte shkruar, thuajse njëlloj nga shumë pjestarë të tubimit "A është e vërtetë se është vrarë Adem Jashari?". Ndërsa pyetja në tjetrën ishte shkruar nga një vajzë, e cila pyeste thjeshtë se " a lejohen vajzat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës".

 

          Në atë sallë dy vite më parë kishim bërë një tubim tjetër dhe më shumë na kishin kundërshtuar, se na kishin përkrahur. Tani mendimi i të gjithëve ishte tek e vërteta rreth jetës apo rënies së Adem Jasharit, dhe, mes kësaj pritje vinte pyetja e një vajze të re, në se do të lejohej të shkonte në rradhët e njerëzve të luftës.

 

          Menjëherë pas tubimit unë bëra shkrimin "A vdiq Adem Jashari", botuar të pasnesërmen në "Zëri i Kosovës" dhe e kam për nder që ky ishte shkrimi i parë në publicistikën tonë për Adem Jasharin dhe të vërtetën e tij.

 

          Por në mendje më ka mbetur ajo sallë e ngrirë, që priste, dhe pyetja e asaj vajze, që nuk e njoha kurrë, por që më vonë më thanë se ishte kthyer në Kosovë dhe vazhdonte të luftonte.

 

          Adem Jashari u bë mit pasi ishte kthyer më parë në forcën e njerëzve të tij. U bë legjendë, pasi ishte më parë e vërteta e njerëzve të tij.

 

          Të shkon mendimi edhe diku tjetër : Ç'u bënë rrethuesit, hordhitë, njerëzit që morën pjesë në masakra, ç'u bë Arkani dhe pasuesit tij? Shumë pej tyre janë vrarë, ose nga forca e ndëshkimit të shqiptarëve në luftë, ose në përleshjet kriminale. Mbi varrin e tyre është heshtja, mbi jetën e tyre është përbuzja. Askush, me fare pak mend në kokë, nuk mund të mburret se kam qenë shok i kriminelit Arkan. Ashtu si jetoi, ashtu vdiq, si qen.

 

          Ndërsa në dhjetë vite, tek Jasharët kanë shkuar mbi 7 milion njerëz, janë përulur para tyre, nga të gjitha viset, nga të gjitha shtetet. Kështu do të ndodhë deri sa të jetë jeta....

 

          Sepse

          Jasharët, edhe kur nuk ishin, ne i ndjenim. Si u bënë të ndjeshëm ata edhe pas rënies së tyre... Le të themi edhe këtë...

 

*  *  *

·        Me 8 mars të vitit 1998, nga qyteti i largët gjerman Mynih, drejt Kosovës, do të merrnin rrugën disa nga shokët e Adem Jasharit, mes tyre Fehmi Llladrovci, Sami Lushtaku, Xheva Krasniqi - Lladrovci, Xhemë Gashi, Mirush Daka - komandant "Korbi", Gani Paçarizi, disa makina rradhasi. Ishte fillesa e kthimit të madh. Nga ana tjetër e rrugëve kishte filluar udhëtimi i Fatmir Limajt, Adem Grabovcit, Shukri Bujës, Ismet Jasharit - komandant Kumanova, gjithnjë e më shumë do të kishin pikëtakimin e tyre në Kosovë. Në fare pak muaj rikthehen në Kosovë më shumë se dhjetë mijë vetë. Edhe sikur të kishte qenë gjithçka e organizuar mbi bazën e një shteti të fuqishëm, nuk do të mund të ishin kthyer më shumë. Maqina të tëra që lëviznin ditën dhe natën, autobuzë, njerëz të strukturuar, të cilët, kur kishin kaluar në këtë anë të kontinentit, ishin lodhur, kishin bërë hesape pas hesapesh, dhe tani, kishin vetëm një ëndërr, të jenë aty ku kishin luftuar Jasharët, në Kosovë.

 

*  *  *

           Lufta kishte pushuar. Pas gjithë atyre krismave dhe gjëmimeve, vetëm për një çast të shkurtër u vendos heshtja. Askush nga forcat ushtarake serbe nuk po lëviste. Pritën disa çaste, të cilat sigurisht u janë dukur si orë të gjata, dhe pastaj filluan të lëvizin. Filluan përsëri të hedhin bomba dore dhe gaz lotsjellës.Gjuanin edhe duke u futur brenda. Filluan të kontrollojnë dhe e diktuan se vajza e vogël, Besarta, ishte ende gjallë. Ishte strehuar në një qoshe, afër maxhes, aty ku ishin çezmet e ujit, nën koritën e betonit ku laheshin enët. Nga frymëmarrja policët e diktuan se ishte gjallë. Iu afruan, e nxorën prej aty, e qitën në oborrin e përgjakur dhe filluan ta pyesin për balin Adem, i cili ishte i vrarë para shkallëve.

 

          "A është ky Adem Jashari?" - i thanë.

 

          Vajza e vogël e dinte tashmë se bali Adem ishte vrarë, ajo nuk e dëgjonte më këngën e tij, por ata nuk ishin ende të sigurtë në se ishte ai, ende kishin drojen e ringritjes së tij. Adem Jashari, pak ditë më parë, kishte shkurtuar mjekrën e derdhur të tij, dhe kjo i bënte të pasigurtë në njohjen e njeriut që i kishte shkulur, përkohsisht nga pozicionet e tyre dhe që do i shkundte përjetsisht nga Kosova.

 

          Vajza e vogël, ajo Besarta e jashtëzakonshme, i përgjigjet krejt shkurt " Ky nuk është bali Adem, është një djalë prej Llaushe, Abdullah, i thonë. Ademi e Hamza, i thotë, nuk janë këtu...."

 

Besarta kishte patur të drejtë. Ademi e Hamza nuk mund të ishin aty. Kishte filluar ngjizja e legjendës së tyre... Dhe ndodhi ajo që është e natyrshme të ndodhë me të gjithë paslegjendat.... Do të kthehem tek disa shembuj...

 

           Me 8 mars të vitit 1998, nga qyteti i largët gjerman Mynih, drejt Kosovës, do të merrnin rrugën disa nga shokët e Adem Jasharit, mes tyre Fehmi Llladrovci, Sami Lushtaku, Xheva Krasniqi - Lladrovci, Xhemë Gashi, Mirush Daka - komandant "Korbi", Gani Paçarizi, disa makina rradhasi. Ishte fillesa e kthimit të madh. Nga ana tjetër e rrugëve kishte filluar udhëtimi i Fatmir Limajt, Adem Grabovcit, Shukri Bujës, Ismet Jasharit - komandant Kumanova, gjithnjë e më shumë do të kishin pikëtakimin e tyre në Kosovë.

 

          Në fare pak muaj rikthehen në Kosovë më shumë se dhjetë mijë vetë. Edhe sikur të kishte qenë gjithçka e organizuar mbi bazën e një shteti të fuqishëm, nuk do të mund të ishin kthyer më shumë. Maqina të tëra që lëviznin ditën dhe natën, autobuzë, njerëz të strukturuar, të cilët, kur kishin kaluar në këtë anë të kontinentit, ishin lodhur, kishin bërë hesape pas hesapesh, dhe tani, kishin vetëm një ëndërr, të jenë aty ku kishin luftuar Jasharët, në Kosovë.

 

          Nuk e kam njohur nga afër djalin e dëshmorit të madh Hasan Ramadani, llapjanin e njohur, i cili, bashkë me të bijën, Fitnetin, luftoi kundër rrethimit serbomadh deri sa u vranë. Ngjarjen ma ka treguar miku im, Besnik Mehaj. Besniku, sëbashku me vllezërit, Naser dhe Qemal Idrizi, ashtu si ati i tyre, janë ndër të herëshmit në lëvizjen e organizuar ilegale në dobi të luftës, miq të afërt të Fehmiut, Xhevës, Jashar Salihut, Ilir Konushevcit. Që në fillimet e luftës Besniku ishte i strukturuar në grupin e dërgimit të vullnetarëve në radhët e UÇK-së. Një ditë lajmërohet tek ai i biri i Hasan Ramadanit dhe i thotë se kërkon të shkojë në luftë. Besniku e njihte historinë e familjes së tij, ishte droja se mund të vritej, bisedon edhe me shokët e Llapit dhe mendojnë të heshtin. Disa ditë më pas, i biri i Hasan Ramadanit merr rishtas në telefon dhe u thotë "O burra, ndoshta po tuteni se mos më ndodh gjë, edhe mundet, por mendjen e kam nda. Do të shkoj. Bëni mirë me më fut në grupet e organizuara, mos të shkoj fillikat, se rrugët e kufirit nuk i di e mund të bie pa u futur në Kosovë dhe kjo do të jetë dhimbje.. e sa për të tjerat hiq mos keni merak..."

 

          Nga jashtë Kosovës filloi lëvizja e madhe e kthimit, e mbështetjes logjistike. Bota filloi të ndryshojë mendje, se tashmë nuk ishte fjala për një lëvizje klandestine të pallogaritshme, por ishte lindja e një force të re, e cila, sikur asgjë tjetër të mos kishte, mjaftonte vetëm fakti se ishte ngritur mbi themelin e një qëndrese të jashtëzakonshme, do të ishte e mjaftueshme për t'u ngritur.

 

          Njeriu i heshtur Adem Jashari bëri që të shkrinin akujt e diplomacisë botërore, gjë që nuk e kishte bërë askush më parë, të dilte nga anonimati lufta e shqiptarëve në Kosovë, të rrihte zemra fort e të gjithëve, edhe kur kishin lindur në Konispol, njëlloj si të lindurit në Prekaz.

 

          Kur ndodhi heshtja e fillimit të 8 marsit 207, pra dhjetë vite më parë, filloi ringritja e kombit.

 

          Çfarë ndodhi në Kosovë?

 

          Pak ditë më pas përsëritet një histori e re qëndrese, Haradinajt dëshmojnë se vatrat janë ndezur dhe do të ishte e mjaftueshme vetëm të shprishje hirin që kishin dashur të hidhnin mbi zjarrin e qëndresës dhe flaka do të ndizej rishtas. Në Drenicë gjithçka qëndroi pezull në ditët e para mes heshtjes së ngjarjeve dhe mosbesimit që është vrarë Adem Jashari. Vetëm disa ditë fryma qëndroi pezull, ashtu si qëndron bryma e bardhë mbi majat e pishave. Pastaj gjithçka filloi të rrjedhë vrullshëm si ujrat e Drinëve. Në fare pak javë ngrihen disa zona operative, njerëzit fillojnë të kenë zonat e para të lira, ku nuk njihet pusheti serb, ku kënga mund të këndohet shqip ditën e natën, ku frymohet lirisht, megjithëse e dinë se kjo është një frymëmarrje e përkohshme, sepse do të kishte përsëri ditë të vështira. por njerëzit kishin filluar të mësohen me lirinë, dhe ky mësim do të ishte tejet i vështirë të harrohej, në mos i pamundur. Secila nga brigadat ka tri shifra, shifra e parë është e përbashkët "1" dhe përfaqson Kosovën, shifra e dytë tregon zonën operative dhe Drenicës i takon të jetë zona e parë operative e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shifra e tretë është numri i brigadës.

 

          Nëse, para rënies së Adem Jasharit, mund të numëroheshin lehtë, krejt lehtë, njësitë guerile që ishin në Kosovë, disa javë më pas, nën tingullin e emërit të tij, ishte e vështirë të dalloje brigadat që po ngriheshin. Nëse dy a tre muaj më parë do të kishte qenë ëndërr që dhjetë mijë vetë të përgjigjeshin të gatshëm për të luftuar deri në fund, tani, vetëm në javët e para më shumë se 30 mijë vetë kaluan kufirin dhe kërkonin armë. Qëndronin me ditë dhe netë në pritje dhe nuk ktheheshin të boshtë, sepse kishin bërë mendjen të luftonin deri në fund.

 

          Vetëm dikujt nuk ia ndinte për këtë gjë, qeverisë Bukoshi dhe shefit të tij në Prishtinë. Sot, ai njeri, mund të thotë se gjithçka ishte shpifje e njerëzve të luftës, se qenka sulmuar nga qeveria socialiste, të cilët bënë gabimin e madh që e lejuan të livadhisë "forcën" e tij të armatosur deri në dhëmbë nëpër rrugët e ...Tiranës, por ai ende nuk i është përgjigjur akuzës publike të njeriut të dytë të qeverisë së tij, zotit Xhafer Shatri, i cili, pikërisht për të njëjën kohë, pra, për ditët e para të ringritjes së madhe, do të shkruaj se :

 

          "Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qëngjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për "ditë të zeza". Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët "institucionalë" duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me para të fondit veprimtari kundër tij".

 

          Kjo është akuza më e rëndë që "qeverisë Bukoshi" i erdhi nga njeriu numur 2 i saj, dhe deri më tash askush nuk i është përgjegjur, as vetë Bukoshi e as njeriu hije i tij, kryekomunari Isa Mustafa, ish ministri i tij i financave. Thua edhe votat, tashmë të tij, janë blerë me paratë e atij fondit për të mbijetuar politikisht, si thotë Shatri, kryekopukët e Kosovës? Ku ta dish... Sidoqoftë, në mos për tjetër, kjo duhet të ishte e vlefshme në kujtesën e atyre që duan të bëjnë paralele të përbashkta mes njerëzve të ndryshëm...

 

          Sidoqoftë mitii Adem Jasharit kishte forcën të ngrihej mbi këtë. Ai kishte tashmë përmasat e atyre figurave që, sa më shumë i afroheshin, aq më të mëdha të ngjasojnë. Por kësaj rradhe, ngjasimi dhe e vërteta, ishin një.

 

          Për vite me radhë ishin munduar që politika e Kosovës t'i ngjante një qerreje të mbetur në baltën e fjalëve. Herë pas here ia kishin arritur kësaj, herë pas here gjithçka kishte qenë e braktisur. Ajo, që mund të quhej "çështja e Kosovës", kishte mbetur bisedë sallonesh diplomatike në orët e pirjes së çajit. Akti i Jasharëve do i ngjante asaj pjese të tregimit të Migjenit, kur për të zgjuar ndërgjegjen e kombit duhej një top dyzetedysh. Kjo që kishte ndodhur kishte qenë shumë më e madhe.

 

          Çfarë ndodhi në Shqipëri ?

 

          Ajo që përjetoi Shqipëria ishte një përmbytje e vërtetë e mendimit. Deri disa kohë më parë kishte, më shumë se gjithçka tjetër, një ironi të ndjeshme në qëndrimet e analistëve, politikanëve, shtetarëve për ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndjehej kudo, ishte e vështirë të gjeje edhe një sallë për një konferencë shtypi. Vetëm disa nga mendjet e ndritura si Dritëro Agolli, Shaban Sinani, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Sabri Godo kishin në mendjen e tyre perspektivën dhe dolën hapur në mbështetje të saj. Qeveritarët ngurronin të pritnin edhe një grup të lartë drejtuesish të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilët, pasi pritën ditë e netë të tëra, u larguan.

 

          Papritmas gjithçka ndryshoi. Njerëzit e thjeshtë e ndjenë të parët se, ajo që u ishte thënë, "Kosova nuk mund të luftojë më", nuk kishte qenë e saktë. Dhe hapën dyert e fjalës dhe të mendimit të mirë. Pastaj erdhi ndryshimi i mediave, pastaj i politikës dhe i shtetit. Po fillonte të ndodhte ajo që kishte profetizuar dhe dashur Adem Jashari - lëvizja e kombit.

 

          Dhe kjo ndodhi kudo ku ishin shqiptarët. U hapën portat e diplomacisë, shpesh herë mëngjezet e punës fillonin me temën e Kosovës... gjithçka u përmbys në të mirë të saj.

 

          Në qendër të gjithshkaje ishte miti dhe legjenda e njeriut të së vertetës, Adem Jashari dhe Fisit të tij, po ashtu të legjendshëm.

 

          Në fund desha të tregoj një ngjarje të jetuar ...

 

          Safet Peci ka qenë komandanti i njësisë elite "Tigrat" dhe është vrarë në luftimet për lirinë e Kosovës. Është, në të vërtetë, nga fisi i Boletinëve të famshëm, bir Mitrovice. Më ka rastisur ta njoh pikërisht në ditën që ishte nisur të shkonte në luftë. Kishte lënë familjen e tij në Gjermani dhe ishte nisur. Në prag të ndarjes kishte lënë tek shoqëruesi i udhëtimit pasaportën e tij dhe i kishte thënë "ruaje të lutem. Nëse kthehem, do të më duhet për udhëtimet e tjera, nëse vritem, të lutem dërgoja prindërve të mi". Vetëm kaq kishte thënë dhe ishte nisur. Më ka rastisur po ashtu, të shikoj në video, fjalën e tij para bashkëluftëtarve në 28 nëntorin e vitit 1998. Shtati i gjatë, fjala e saktë dhe burrërore, qëndrimi i tij stoik, bindja e tij se deri në fund do të luftohet për lirinë e Kosovës dhe është e sigurtë që shpejt do ja arrijmë, mendimi se vetëm kjo liri nuk është e mjaftueshme, kur kombi vuan.. dëshira për një komb të bashkuar... të gjitha këto, edhe kur i dëgjoja, më sillnin ndjesinë e mirë të vazhdimësisë.

 

          Safet Peci u vra. Shpesh herë ndodh që trimat vriten të parët. Sëbashku me bacën Rifat Jashari dhe miqtë tanë, shkuam , pas luftës, të i jepnim të atit, Zeqir Pecit, pasaportën e të birit, si shenjë e zbatimit të amanetit të tij.

 

         Ne ndenjëm gjatë dhe u bisedua, po ashtu gjatë. Nga të gjitha çfarë u thanë, nuk më harrohet kurrë fjala e mënçur e Zeqir Pecit, ndërsa i thonte bacës Rifat : "Djali im shkoi në Kosovë të ecte në gjurmët e fisit tuaj, Ademit e Hamzës. Nuk më është dhimbur deri më tash e në se bëhet gjaku i tij për atë çka luftoi Hamza, Ademi dhe shokët e tyre, pikë derti nuk e kam. Shembulli juaj nuk rrinte ma brenda këtyre mureve, prandaj shkoi im bir …."

 

         Kjo është e vërteta. Shembulli i madh i Jasharëve ishte themeli i ngjarjeve që erdhën.... U bënë dhjetë vite....dhe përsëri na duket sikur nga cepi i pyllit, fillimi i luginës, bri malit, do të dalë Adem Jashari, ashtu si e kemi në kujtesën tonë, ashtu si do të jetë përjetsisht në kujtesën e kombit.

 

          Ai është njeriu, në të cilin, miti, legjenda dhe e vërteta është e njëjtë. Për besë, unë nuk e di se mund të ketë edhe një shembull tjetër në botë. Jemi një komb i lumtur që kemi një shembull të tillë. Do të dijmë ta ruajmë? Koha na ka vënë në provën e madhe.

 

Ka filluar të kryhet bacë, por ende nuk është krye...

 

….

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

( Përgatiti moderatori i www.pashtriku.org - 03. 03. 2011 )

 

 

 

 

powered by Beepworld