Ekskluzivisht për www.pashtriku.org

PËRMASAT E MBIJETESËS

Autori: Besim R. Cengu

RECENSIONET

Një kronikë e ngjarjeve dramatike

     Libri i Besim R Cengut, Përmasat e mbijetesës, na përkujton edhe një herë tërë atë që ndodhi në Kosovë dhe rreth saj para katër vjetësh. Ky libër është një kronikë e ngjarjeve dramatike të pranverës së vitit 1999. I ndodhur në një nga pikat më pikante të kësaj drame, në Kukës dhe në detyrën e njeriut që është në vlugun e ngjarjeve, të gazetërit të Radio Kukësit, autori i këtij libri, Besim R Cengu, ka mundur të shohë, të dëgjojë dhe të përjetojë atë që s'kanë mundur të shohin, të dëgjojnë e të përjetojnë njerëzit e tjerë dhe të lërë dëshmi të shkruara, për ngjarje, njerëz dhe fate njerëzish nga më të ndryshmet. Libri sjell shumë të dhëna e fakte me vlerë për eksodin biblik të kosovarëve të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, për krimet monstruoze të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, për rezistencën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për rrjedhat dhe proceset politike, kombëtare e ndërkombëtare, që i shoqërojnë të tëra këto. I shkruar qartë e rrjedhshëm, pa teprime e sforcime, por edhe pa lënë mangut atë që duhet, ky libër do të zgjojë interesimin e lexuesve dhe do të lexohet jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen.

Dr. Agim Vinca - Prishtinë, qershor 2003

*  *  *

     Tragjedia shqiptare, e fokusuar në fisin e lashtë dardan, zbatim i një skenari sllavomadh për zhdukje dhe shuarje të shqiptarëve dhe më pas sllavizim trojesh dhe hapësirash, arriti kulmin në fillimvitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë pas lindjes së Krishtit. Vrasje masive, pa dallim moshe e seksi, dëbime nga trojet e veta e djegje banesash, duke i shtyrë e ngushtuar drejt detit Adriatik të shqiptarëve, ishte me të vërtetë një prej tragjedive më të mëdha që ka përjetuar njerëzimi në këtë planet gjatë ekzistencës së tij që, ndoshta, ua kalon edhe atyre të njohura tashmë biblike. Këtë fat përjetoi shqiptari i Kosovës, emërtimin e vonë të së cilës nuk do ta pranoja, por thjesht e qartë me emrin e lashtë DARDANI: Natyrisht, publicisti Besim R Cengu, me librin e tij, Përmasat e mbijetesës, nuk ka marrë përsipër të japë krejt këtë tragjedi (e cila do të ishte e pamundur), por ai ka arritur të paraqesë qëndresën e vëllait për vëllanë, e gjakut për gjakun e vet, kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë luftë, thelbin njerëzor të NATO-s e të SHBA-së, kohën kur dallohen qartë tashmë miqtë dhe armiqtë e shqiptarëve në këtë luftë. Ngjarjet dhe faktet, ku jepen të dhëna të sakta dhe të plota në përballimin e barrës së rëndë për të zhvendosurit nga trojet e veta nga kuksianët e qytetit dhe të rrethinës, të pushtetit vendor dhe qytetarit të thjeshtë, spikasin cilësitë e larta të shpirtit shqiptar, sa paqësor e liridashës, aq njerëzor e i sakrificës. Autori, me stilin e një publicisti dhe një analisti të sprovuar, na e ka dhënë lëndën në libër me një gjuhë të lexueshme për të gjitha kategoritë e lexuesit, me një rrjedhshmëri fraze e përshkrimi. Faktet, dokumentet konkrete, gjithnjë do të jenë bazë për referim nga studiues të ndryshëm në fushën e histiografisë dhe sociologjisë. Pa e zgjatur më tej, libri i Besim R Cengut, Përmasat e mbijetesës, që po të isha unë, do ti shtoja titullit të librit në fillim parafjalën "në" ose "nëpër", do të zejë një vend të veçantë në dhjetra e dhjetra libra që janë shkruar e do të shkruhen për këtë tragjedi shqiptare të vitit 1999.

Bajazit Cahani - Kukës, korrik 2003

 

DITËT E STUHISË

Fundi i muajit mars ka qenë i egër për shqiptarët vitet e fundit. Ismail Kadare

E shtunë, 27 mars 1999 

Sot, në Kukës ishte Presidenti i Republikës Rexhep Meidani, Kryeministri Pandeli Majko dhe disa ministra të kabinetit të tij. Qëllimi i ardhjes, ishte vlerësimi i gjendjes në Prefekturën e Kukësit, pas sulmit të avionëve luftarakë të NATO-s dhe masat që duhej marrë nga Qeveria shqiptare dhe pushteti vendor në rast të ndonjë fluksi të shqiptarëve, si pasojë e hakmarrjes së ushtrisë jugosllave kundër popullit shqiptar të Kosovës. Që para dy ditësh, në Kukës, kishin ardhur përfaqësues të lartë të qeverisë dhe parlamentit shqiptar për këtë problem. Presidenti Meidani, pasi bëri një vizitë te të ardhurit në Krumë, ku gjatë dy ditësh në rrethin e Hasit, kanë mbërritur 174 banorë të fshatit Goden të Gjakovës, të cilët u masakruan nga forcat paramilitare serbe. Presidenti, Rexhep Meidani pati takime në Prefekturë me Shtabin e mbikqyrjes së situatës së krijuar, që ishte ngritur para pak ditësh, me drejtuesit e pushtetit lokal dhe me drejtuesit e Divizionit ushtarak të Kukësit. Në mesditë, Presidenti Rexhep Meidani, Kryeministri Pandeli Majko dhe bashkëpunëtorët e tyre, u larguan nga Kukësi. Para pak çastesh, më saktë në orën 13,20 minuta të ditës së sotme, në pikëkalimin doganor të Morinit kanë hyrë 187 banorë nga Kosova, kryesisht gra e fëmijë, që janë shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike. Janë kryesisht banorë të fshatrave Krushë e Madhe dhe Zym, në afërsi të qytetit të Prizrenit. Detyrat që Presidenti Rexhep Meidani la sot, ishin të freskëta dhe nga drejtuesit e Prefekturës së Kukësit, u morën masa të menjehershme për transportimin e tyre. Stacioni i parë i pritjes së të ardhurve, ka qenë pallati i kulturës "Hasan Prishtina". Menjëherë, banorët e qytetit të Kukësit, kanë hapur dyert e shtëpive për vëllezërit kosovarë.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të Kukësit, Safet Sula, në Televizionin e Kukësit del me një thirrje ku u drejtohej të gjithë banorëve kuksianë, për të strehuar vëllezërit dhe motrat nga territoret shqiptare të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Menjëherë kësaj thirrjeje, iu përgjigjën të gjithë banorët e qytetit të Kukësit dhe të fshatrave përreth.

Në rrethin e Hasit, dje kanë mbërritur 174 shqiptarë të dëbuar nga fshati Goden i Gjakovës, që është djegur plotësisht. Forcat ushtarako-policore dhe paramilitarët, kanë rrëmbyer burrat e fshatit dhe aktualisht nuk dihet fati i tyre.

Mbrëmë, rreth orës 24 deri në orën 1, nga artileria e ushtrisë serbe, është goditur fshati Kamenicë në rrethin e Tropojës. Në drejtim të këtij fshati, janë hedhur 30 predha. Aktualisht, nuk kemi njoftime për dëme. Pas kësaj ngjarjeje, në Radio-Kukësi, u prononcua shefi i Komisariatit të Tropojës, Muharrem Gjuriqi, i cili porositi gjithë popullsinë të ketë kujdes ndaj provokacioneve të ushtrisë serbe, e cila kërkon shkase.

Në afërsi të Prishtinës, kryeqytet i Kosovës, është gjetur i vrarë avokati i njohur, Bajram Kelmendi. Bashkë me të, janë vrarë edhe dy djemtë e tij. Nuk bëhet e ditur për rrethanat e vrasjes.

Bëhet e ditur se Qeveria serbe, ka nxjerrë nga burgu të gjithë kriminelët dhe i ka nisur për në Kosovë, me synim realizimin e planit për zbrazjen e Kosovës nga banorët etnikë shqiptarë, të cilët përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë.

Presidenti amerikan, Bill Klinton, ka paralajmëruar Beogradin, se do të përgjigjet për masakrat e ushtruara ndaj popullit të Kosovës. Gjithashtu, Bill Klinton, i bën thirrje popullit serb të distancohet nga udhëheqja e vet dhe krimi i pashembullt që po praktikon ajo kundrejt popullsisë së pafajshme shqiptare.

Senati amerikan, doli me një rezolutë, ku thuhej: të rrëzohet presidenti jugosllav Slobodan Milosheviç dhe të armatosen shqiptarët. Sipas senatorit republikan, Robert Benet, kjo alternativë do të jetë, ngaqë fushata ajrore dhe bombardimet, nuk do ta ndalin terrorin e serbëve ndaj shqiptarëve.

Mbrëmë, është goditur nga avionët e NATO-s, qendra e Beogradit dhe rezidenca e Slobodan Milosheviçit. Gjithashtu, po mbrëmë, u goditën dy aeroplanë ushtarakë jugosllavë në hapësirën e Bosnjës. Gjatë natës, është goditur me raketa një qendër radarësh në Mal të Zi.

Një grup deputetësh të Kuvendit Popullor, dje ishte në rrethin e Hasit dhe vizitoi familjet e ardhura nga fshati Goden i Gjakovës. Në darkë vonë, ata morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes në Prefekturën e Kukësit, ku edhe përcaktuan detyrat më emergjente për pushtetin vendor, Prefekturën e Kukësit si dhe njësitë ushtarake.

Njoftimet e orëve të vona të pasdites së sotme, tregojnë për një rritje të paparashikuar të numrit të të shpërngulurve nga trojet e tyre shqiptare në Kosovë. Deri në orën 20, kanë mbërritur në Kukës mbi 150 traktorë e makina të mbushur me banorë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Sipas intervistës, që dha nëpunësi i zyrës për refugjatë në qytetin e Kukësit, Jonuz Kola, 3 mijë veta, janë futur në pikëkalimin e Morinit deri në orën 19, ndërsa tridhjetë mijë të tjerë janë përtej kufirit, që presin të futen.

Në orën 24, në Kukës, kanë mbërritur 12.724 shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre etnike. Të gjithë, u pritën me shumë dashamirësi në familjet kuksiane. Sonte vonë, erdhën treqind pako ndihmë ushqimore dhe pritet që po sonte, të vijë në Kukës shefi i UNHCR-së. Gjithashtu informohemi, se nga Tirana, janë nisur dhjetë kamionë me rezerva ushqimore, si dhe pesë mijë komplete mujore ushqimore për kosovarët.

Për situatën kufitare dhe masat e marra për gjendjen që po kalojmë, u prononcua për mediat lokale drejtori i përgjithshëm i Policisë kufitare, Gëzim Goçi, i cili u shpreh se nga gjithë shqiptarët, veçanërisht popullsia në kufi me Kosovën, të ketë kujdes e të ruhet nga provokimet, që mund të bëjnë ushtria e policia jugosllave. Të gjithë banorëve kosovarë, që kalojnë në pikëkalimin e Morinit, policia serbe dhe Tigrat e Arkanit, ua grisin të gjitha dokumentet e identifikimit dhe automjeteve u heqin targat.

Sot, ishte Dita e Bajramit, por askujt nuk i  ra ndër mend  për të. Pikërisht deri në fundin e kësaj dite, kanë hyrë në Kukës dhjetëra-mijëra veta. Gjendja, nga ora në orë, po vështirësohet dhe po shkon drejt një katastrofe humanitare.

E diel, 28 mars 1999

Qindra e mijëra shqiptarë nga Peja, Prizreni, Rahoveci, Gjakova, Mitrovica, Prishtina etj., janë nisur në drejtim të Shqipërisë. Spastrim etnik është ky. Ai brirë nuk ka dhe e keqja është se ai po bëhet përpara syve të gjithë botës. Serbia mendon, se kështu mund të sfidojë më së miri botën demokratike. Në orën 6 të mëngjesit, mbërritën në spitalin e qytetit të Kukësit dy të vrarë dhe një i plagosur. Ata janë, Halil Bugari, 29 vjeç nga komuna e Suharekës, vrarë me armë zjarri, Dervish Ali Krasniqi, 65 vjeç, vdekur nga zemra edhe ky nga komuna e Suharekës dhe ka ardhur i plagosur, Tafil Haxhi Hoxha, 43 vjeç nga rrethinat e Prizrenit.

Me gazetarin e ATSH-së, Riza Hoxha, rreth orës 9 të mëngjesit, isha në pikëkalimin kufitar të Morinit. Pas një nate plot ankth, në mëngjes, rreth orës shtatë, ishte hapur nga serbët përsëri pikëkalimi kufitar. Vargu i makinave, ishte i pambaruar. Sot, shpërngulen fshatrat Zhur, Vermicë e Dobrushë, por kishte edhe nga zona e tjera të Kosovës. Zhuri, ka rreth dhjetë mijë banorë dhe  bashkë me Junikun e Rogovën e Hasit, janë fshatrat më të  mëdha të Kosovës. Në pikëkalimin e Morinit, morëm vesh, se janë në radhë për të hyrë në Shqipëri më shumë se njëqind mijë banorë të shpërngulur. Tragjedia njerëzore, nuk është kurrë më pranë se sot për kombin tonë. Atë e kemi sipër kokës, si një hije vdekjeje.

Banorët e Kukësit, kanë temë të ditës sot blerjen e miellit për bukë, pasi gjithsecili banor kuksian po shikon qartë, se në rast se nuk merren masa, kriza do të jetë evidente. Sigurisht, është afër mendjes se po të futen në një qytet 20 mijë banorësh, siç është Kukësi, edhe mbi 100 mijë të tjerë, rreziku i një katastrofe humanitare është në prag.

Tek Parku i ri i Kukësit, ka mbi 4.500 të dëbuar. Atje, është krijuar rrëmujë tepër e madhe dhe nuk merret me mend se si do t'u dilet në krye problemeve që kanë të ardhurit. Situatën e komplikon shumë ardhja e pandërprerë e mijëra shqiptarëve të tjerë nga Kosova. Kryeplaku i fshatit Dobrunë të rrethit të Hasit, Demë Mula, njofton se mbrëmë 25 ushtarë serbë, janë futur brenda territorit dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të fshatit. Të gjithë burrat e fshatit, janë mobilizuar për të përballuar çdo agresion të armikut

Sot, Këshilli i Rrethit të Kukësit, bën thirrje për të vënë në dispozicion automjetet për të transportuar banorët kosovarë të dëbuar nga pikëkalimi i Morinit deri në Kukës. Në Tiranë, sot pasdite, u organizua një miting madhështor, në të cilin merrnin pjesë më shumë se njëqind mijë veta, në përkrahje të vëllezërve kosovarë që po luftojnë për të drejtat e tyre. Në mitingun shumë entuziast, u brohorit për lirinë e shqiptarëve të Kosovës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për Aleancën e Atlantikut.

Njoftohet, se janë nisur mbrëmë nga Tirana 30 autobusë, për transportimin e banorëve shqiptarë të shpërngulur nga territoret e tyre etnike në Kosovë. Lëvizja e të dëbuarve për në rrethet tjera, sot është problemi kryesor. Në asnjë mënyrë, nuk duhet lejuar grumbullimi i të gjithë banorëve kosovarë në Kukës. Përveç vështirësive që dalin për t'i strehuar dhe ushqyer, kjo situatë, ka pasoja në përhapjen e shpejtë të epidemive të ndryshme, por edhe të kanosjes së ndonjë goditjeje të pabesë të armikut serb, kur dihet se qyteti i Kukësit, është shumë pranë zonës së luftimeve. Pasdite mbërritën autobuzët nga rrethet e tjera të vendit. Autoritetet e Kukësit, që nga prefekti i Kukësit, Qemal Elezi, kanë shkuar te banorët e shpërngulur për t'i bindur të hipnin në autobusë për të lëvizur në rrethet e tjera.

Burime nga spitali i Kukësit, bëjnë të ditur, se kanë mbërritur 40 persona të plagosur nga Krusha e Madhe dhe Suhareka të qëlluar me armë zjarri dhe me mjete të tjera të forta nga çetnikët serbë pranë një xhamie, rreth orës 10 të ditës së sotme. Rreth orës 12, në Beograd, bandat serbe, kanë sulmuar ambasadën tonë, duke i vënë flakën asaj. Akti i këtyre banditëve, shpreh edhe më qartë urrejtjen patologjike që sllavët kanë për popullin shqiptar. Nga ana tjetër, vepra të kësaj natyre, janë zbatim i projekteve serbe që kur ata kanë ardhur në Ballkan.

Brahim Uka, nga Zyra e informacionit e Këshillit të Rrethit të Hasit, njofton, se deri në orën 17 në këtë rreth, kanë mbërritur 1.500 shqiptarë të dëbuar. Ndërsa nga ora 10 deri në orën 23, kanë hyrë nga Qafa e Prushit në Has edhe 830 të shqiptarë të dëbuar nga qyteti i Pejës, Istogu, Gjakova, Juniku etj. Përsëri rreth orës 21, një ekip gazetarësh, ishim në Morin. Gjithë ditën, nuk ka pushuar vargu i makinave. Kukësi, aktualisht është jashtë çdo mase i mbipopulluar. Kudo njerëz, zhurma makinash, britma fëmijësh, rënkime pleqsh nga stërmundimi e lodhja e jashtëzakonshme. Në gjithë hapësirat, sheshet dhe territoret e qytetit, nuk ke ku të hedhësh një kokërr mollë. Burime të ndryshme njoftojnë, se deri tani, kanë kaluar mbi 70 mijë kosovarë të dëbuar.

Problem ka dalë pagesa e mjeteve të transportit të të dëbuarve në rrethe tjera. Sipas informacionit të marrë pranë Shtabit të mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, bëhet me dije, se një bamirës arab, ka paguar transportin e banorëve kosovarë nga Kukësi për në rrethet e tjera. Nënpresidenti amerikan, Al Gore, në një mesazh drejtuar kombit, shprehet: Despotit të fundit komunist, i ka ardhur fundi. Është një thirrje kërcënuese që i bën të ditur liderit serb Slobodan Milosheviç, se ditët e tij janë të numëruara.

E hënë, 29 mars 1999

Në mbledhjen e sotme të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës, zv/kryeministri shqiptar, Ilir Meta, tha se në takimin me grupin Miqtë e Shqipërisë, u reagua ashpër ndaj dhunës në Kosovë dhe shteteve evropiane iu sugjerua që vëmendja të përqendrohet në ndihmën që i duhet dhënë Qeverisë shqiptare. Gjithashtu, zoti Ilir Meta, u shpreh se ky popull është bujar dhe të jeni të sigurt, se do ta tejkalojë këtë situatë. Krahas ndihmave humanitare, që po futen në Kukës në ndihmë të banorëve të dëbuar me dhunë nga Kosova, sot biznesmeni kuksian, Basri Ruka, president i firmës Lindi, solli në Kukës rreth 50 tonë miell. Kjo sasi, u shpërnda në komunën e Bicajt.

Mbrëmë, në rrethin e Hasit, kanë ardhur 1.000 kosovarë, kryesisht nga rrethina e Gjakovës. Në këte rreth, deri tani ka më shumë se tre mijë veta. Gjendja është përkeqësuar dhe kërkohet deomos ndërhyrja e shtetit shqiptar dhe e shoqatave të huaja humanitare, për të ndihmuar me ushqim e veshmbathje banorët e shpërngulur, por edhe banorët hasjanë që janë në pozitë të vështirë. Dëshmitarët nga radhët e të dëbuarve, që kanë ardhur në Has e Kukës, tregojnë se në Gjakovë, është djegur Qarshia e Vjetër. Theksojmë se kjo lagje, ka patur vlera të jashtëzakonëshme të kulturës shqiptare që nga mesjeta e hershme. Serbët, me këtë akt kriminal, po dëshmojnë se duan të rrënojnë çdo gjurmë të kulturës sonë kombëtare.

Sot, është përhapur lajmi, se është vrarë, Fehmi Agani, nënkryetari i LDK-së dhe pjesëtar i delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë. Serbët duan të zhdukin inteligjecien shqiptare. Dje, janë transportuar për në thellësi të vendit, rreth katër mijë të dëbuar. Shumë nga banorët kosovarë, që tashmë nuk kanë shtëpitë e tyre, nuk pranojnë të shkojnë në qytete të tjera me shpresën e kthimit të afërt në Kosovë. Shkurt, nuk besojnë në atë që po ndodh. U duket gjithçka, si një ëndërr e keqe që zhduket bashkë me mëngjesin. Drejtimi i djeshëm i lëvizjes së banorëve shqiptarë të shpërngulur, ishte Durrësi dhe Berati. Mjete të tjera të ardhura në Kukës, me detyrë transportin e shqiptarëve nga Kosova për në rrethe të tjera, po nisen në drejtim të Tiranës, Gjirokastrës, Korçës, Burrelit, Peshkopisë etj.

Pritet që brenda tri ditësh, sipas burimeve nga UNHCR-ja, në Kukës, të mbërrijnë rreth 300 mijë veta. Askush, nuk e ka të qartë se si do të mbikëqyret kjo situatë. Pushteti vendor në Kukës, është krejt e pamundur të përballojë gjithë këtë fluks. Ndërhyrja ndërkombëtare është më se e domosdoshme. Shtabi i mbikëqyrjes së situatës, përmes shkresave të veçanta, u është drejtuar të gjitha instancave shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë për gjendjen e krijuar.

Sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, u vendos të intensifikohet transporti i kosovarëve të dëbuar me dhunë për në brendësi të vendit. Për këtë, janë vënë në dispozicion qindra mjete transporti nga të gjithë rrethet e vendit. Një ndihmë të madhe për transportin e banorëve të shpërngulur për në rrethe të tjera, po jep edhe Ushtria shqiptare. Sonte, numri i të transportuarve në brendësi të vendit, ishte shtatë mijë persona. Sipas Zyrës së shtypit të Kryeministrit, Pandeli Majko, njoftohemi se janë nisur edhe 400 autobusë për transportin e të dëbuarve, numri i të cilëve në Kukës sa  vjen e shtohet.

Dita e sotme, u karakterizua nga fluksi i  madh i të ardhurve. Nuk bëhet fjalë më për shifra, pasi ato janë shumë kontradiktore. Një burim thotë 77 mijë të shpërngulur, një tjetër flet për 100 mijë. Numrin e të ardhurve në Kukës, nuk kanë mundur ta saktësojnë as punonjësit e policisë në doganën e Morinit. Mendohet, të kenë hyrë mbi 70 mijë veta. Të ardhurit, kryesisht janë nga Peja, rrethinat e Gjakovës dhe e Prizrenit. Tmerri i tyre nuk përshkruhet. Nga shqiptarët e dëbuar deri më sot në Kukës, 362 prej tyre janë të plagosur dhe një i vdekur. Mbi 100 mijë veta, janë në rrugë pa ushqim dhe në kushtet e një moti me shi dhe të ftohtë. Vështirë të shlyhen nga kujtesa pamje të tilla kaq të llahtarshme. Pleq të rraskapitur, fëmijë të drobitur për vdekje, gra që në sytë e tyre të mekur, shprehin vetëm vuajtje e mjerim njerëzor.

Vetëm në xhaminë e Kukësit, janë strehuar dy mijë veta. Kuptohet qartë, se në familjet kuksiane, nuk ka asnjë hapësirë për të pritur vëllezërit dhe motrat që përzihen me dhunë nga Kosova. Mijëra banorë, e kalojnë natën jashtë nën qiellin e hapur, pa asnjë mbrojtje. Ministri i Mbrojtjes i Anglisë, Xhorxh Robertson, në një intervistë shprehet, se ne i i themi Milosheviçit, se do ta godasim fort duke treguar kështu se NATO-ja është e vendosur për të shkatërruar makinën e dhunës në Ballkan.

E martë, 30 mars 1999

Sot, numri i të ardhurve, ka një rënie të dukshme në krahasim me tri ditë më parë. Deri në orën 14, në pikëkalimin në Morin, kanë hyrë tre mijë persona, kryesisht gra e fëmijë nga qyteti i Prizrenit dhe rrethina e tij. Sipas burimeve të Prefekturës, në Kukës, aktualisht janë mbi 100 mijë persona të dëbuar nga Kosova. Këto ditë, është bërë një punë e shkëlqyer në transportin e më shumë se 100 mijë banorëve nga Kukësi për në rrethet tjera.

Në një njoftim shtypi nga Shtabi i mbikëqyrjes të situatës së krijuar në Prefekturën e Kukësit, bëhet me dije se prefekti i Kukësit, Qemal Elezi, u ka kërkuar përfaqësuesve të UNHCR-së një takim në orën 8, për problemet më të ngutshme. Në këtë takim, do të jenë edhe përfaqësuesit e shoqatave humanitare. UNHCR-ja, do të jetë kordinator i këtyre shoqatave joqeveritare. Qëllimi i këtij takimi, kur në Kukës ka më shumë se 100 mijë persona të dëbuar nga Kosova, është që t'u jepet zgjidhje problemeve të strehimit e ushqimit  të atyre që janë në Kukës dhe që po vijnë  çdo çast.

Po rriten në mënyrë të rrufeshme çmimet e produkteve ushqimore dhe mallrave të tjera në treg. Nga tregtarët kuksianë, po abuzohet me të ardhurit. Për këtë, u shpreh sot në mjetet e informacionit lokal, kryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Shqipërisë, Bajram Saliu. Gjendja sa vjen e rëndohet në spitalin e Kukësit. Sipas nëndrejtorit të këtij spitali, Xhemali Peposhi, deri tani kanë marrë ndihmën e parë mbi 1000 persona. Mungojnë mjediset ku duhet të shtrohen të sëmurët dhe medikamentet. Mjeku Xhemali Peposhi, kërkon ndihmën e shtetit dhe të shoqatave të huaja humanitare.

Sot, në Kukës, ishte për vizitë ministrja e brendshme italiane, Roza Jervelino. Në orën 14 ajo zhvilloi një takim pune në Prefekturë me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës së krijuar. Ministrja, Jervelino, ishte e shoqëruar nga zv/kryeministri shqiptar, Ilir Meta dhe ministri i Rendit, Petro Koçi. Zonja Jervelino, deklaroi para grupit qeveritar të vendosur në Kukës, se sot në Durrës mbërrijnë mjetet me medikamente mjekësore destinuar për të ardhurit nga Kosova. Gjithashtu, ministrja, Roza Jervelino, garantoi se Italia do të ndihmojë në ngritjen e kampeve, në sjelljen e shtretërve, dyshekëve, kuzhinave lëvizëse, ushqimeve, etj. Pas një vizite në pikëkalimin në Morin dhe në Qendrën e Shërbimit Spitalor, ajo u largua nga Kukësi.

Po sot, në Kukës, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një rimorkio traktori, ai i tha një grupi banorësh të dëbuar nga Kosova, se Qeveria Shqiptare e kryesuar nga Kryeministri, Pandeli Majko, duhet të japë dorëheqje. Gjithashtu ai, nga zyra e Kryetarit të Këshillit të Rrethit, dha një intervistë me telefon në Radio-Kukës.

Incident në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Në orën 11,40 të paradites, në afërsi të pikës kufitare të fshatit Dobrunë në rrethin e Hasit, 30 ushtarë serbë, janë futur rreth 50 metra brenda territorit tonë. Ata kanë gjuajtur me armë snajpere pikën kufitare të Dobrunës. Banorët e këtij fshati, u janë përgjigjur sulmeve dhe pas disa minutash forcat agresore janë kthyer mbrapsht.

Pasdite, rritet fluksi i të ardhurve. Deri në orën 18 të ditës së sotme, kanë hyrë tetë mijë persona. Kordinatori i procesit të evakuimit të kosovarëve në Prefekturën e Kukësit, zoti Qemal Parllaku, bën të ditur se po transportohen të dëbuarit me forcë në thellësi me mjete të targave të rretheve të ndryshme. Sipas tij, deri ditën e sotme janë transportuar për në rrethet e tjera të vendit mbi 22 mijë veta.

Sipas radios Zëri i Amerikës, një grup senatorësh amerikanë, kanë kërkuar nga shteti i tyre të armatoset UÇK-ja, si e vetmja forcë vendimtare, që lufton në terren dhe që mbron popullsinë civile të kanosur nga bishat e Milosheviçit, Arkanit e Sheshelit. Sipas këtij njoftimi, bëhet fjalë për një ndihmë rreth 25 milionë dollarë. Synimi i Slobodan Millosheviçit, me dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike është, që përmes bombës atomike njerëzore, ta shndërrojë Kukësin në një varr gjigand dhe kështu të sfidojë gjithë botën demokratike.

Gjendje tepër e rëndë brenda Kosovës. Sipas dëshmive të banorëve të dëbuar nga fshatrat Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagac etj., bëhet e ditur se shumë banorë civilë, kryesisht pleq, gra e fëmijë, ndodhen të rrethuar pranë fshatit Nagac dhe janë në gjendje katastrofike. Fati i tyre nuk dihet. Kanë vërshuar në Kukës, gazetarët e mediave më prestigjioze botërore. Deri tani, janë mbi 500 gazetarë nga BBC, CNN, AFP, Francë 2, Zëri i Amerikës, Skaj News etj. Ata, janë vendosur në Kukës në shtëpi me qira dhe në hotele.

Në një konferencë shtypi, Presidenti amerikan, Bill Klinton, tha: Jemi të vendosur për fitore. Ne, sigurisht, do t'ia arrijmë qëllimit. Dyndja e refugjatëve, ka filluar edhe në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë, në Mal të Zi  dhe në vende të tjera ballkanike, ndërsa NATO-ja ka kaluar mbrëmë në fazën e dytë të operacionit që parashikon goditje të trupave në kazerma, goditje të baterive të artilerisë dhe grupimeve të tankeve.

E mërkurë, 31 mars 1999

Sot, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka nxjerrë urdhrat me numër 97, 98 dhe 151, për mobilizimin e përgjithshëm në përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, si dhe për sigurimin e kompletimin gjatë mobilizimit të përgjithshëm. Këto urdhra, thirrin nën armë gjithë moshën nga 18 deri në 50 vjeç. Gjithashtu, thirren të zënë vendet në strukturat e UÇK-së të gjithë kuadrot ushtarake dhe shtrohet domosdoshmëria e ngritjes së qendrave të reja stërvitore për aftësimin e trupave para futjes në frontin e luftës. Stërvitja, do të jetë 10 deri në 15 ditë. Urdhëri është i detyrueshëm dhe mobilizimi fillon nga data 1.4.1999.

Ndërkohë, sot Ibrahim Rugova, në një kanal televiziv serb, bëri thirrje për ndalimin e bombardimeve. Ndoshta është shantazh mediatik serb që bëhet për trullosjen e mendjes së popullsisë shqiptare, e cila ndodhet në momente të vështira të qenies së saj, por nuk përjashtohet edhe ndonjë lojë e rrezikshme në këto çaste dramatike të jetës tonë si komb. Sot, kanë mbërritur në spitalin e Kukësit edhe katër të plagosur me armë nga ushtarët dhe policët serbë. Qendra e Shërbimit Spitalor e qytetit të Kukësit, po jep një ndihmë të veçantë e të pazëvendësueshme në këtë drejtim.

Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, në mbledhjen e ditës së sotme, kërkoi bashkë- punimin e ngushtë me shoqatat joqeveritare për të mbikëqyrur situatën. Kryetari i këtij shtabi, Qemal Elezi, propozoi që çdo ditë të zhvillohen dy takime në ditë në të njëjtën orë për të vlerësuar punën e secilit në linjën e vet. U la që shpërndarja e ndihmave, strehimi, lëvizja për në rrethet e tjera të kryesohen nga UNHCR-ja dhe Federata e Kryqit të Kuq.

Deri në orën 10 të paradites, kanë hyrë rreth tetë mijë të dëbuar nga Kosova, kryesisht fëmijë, gra e pleq. Janë shumë të lodhur dhe të bën përshtypje fakti se brenda territorit kosovar ndalen burrat e të rinjtë. Burime të ndryshme, konfirmojnë se ata përdoren si mure të gjalla për të hapur transhe, u marrin gjak për të plagosurit e tyre në luftë dhe pastaj i vrasin duke i varrosur masivisht në gropa të mëdha.

Në ndihmë të vëllezërve tanë të shpërngulur, tani është edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i vendosur në pallatin e kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit. Të dëbuarit nga trojet e tyre që kanë mbërritur në Kukës, mund të lajmërohen te njerëzit e vet përmes Kryqit të Kuq, i cili njoftimet i transmeton në Radio-Kukës, TV-Kukës, Radio-Tiranë, BBC, Zëri i Amerikës, Dojçe Welle etj. Në Mal të Zi, deri sot, kanë kaluar 42 mijë banorë të dëbuar nga Kosova. Kriza kosovare, po shtrihet edhe në shtete të tjera fqinje duke përbërë kështu një rrezik real të përhapjes së luftës edhe në këto vende.

Kryeministri rus, Jevgeni Primakov, bisedoi për gjashtë orë rresht me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç, në përpjekje për të ndaluar luftimet. Para gazetarëve ai doli me një farë optimizmi duke u shprehur, se Slobodan Milosheviç, ra dakord për tërheqjen e një pjese trupash, me kusht që të ndalen bombardimet.

Kryeministri britanik, Toni Bler dhe ministri i Jashtëm Robin Kuk, janë tepër të vendosur për sulmet e NATO-s, ndërsa kryeministri italian, Maximo d'Alema, tha mbrëmë, se goditja e NATO-s dhe vendosmëria e saj, janë domosdoshmëri. Po ditën e sotme, negociatori i paqes në Kosovë, Wolfgang Petriç, tha se nuk bëhet më fjalë për një marrëveshje, por për pavarësi të Kosovës. Represioni dhe masakrimet, nuk kanë fund tjetër, - tha ai.

Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, nuk ishte aspak optimist për takimin e kryeministrit rus, Primakov, në Beograd. Ai tha, se forcat jugosllave, duhet të tërhiqen urgjent nga Kosova, në të kundërtën, NATO-ja do të vazhdojë operacionin e ndërmarrë deri në arritjen e qëllimit. Më tej, ai tha se Slobodan Milosheviç, do ta pësojë keq.

Spitali i Kukësit, është i gatshëm të përballojë akoma persona. Drejtori i këtij spitali, Bajram Cena, sot për Radio-Kukësin u shpreh, se mund të përballojë 500 veta për trajtim, megjithëse deri tani shoqatat humanitare që kanë mbërritur në qytetin e Kukësit nuk kanë dhënë ndihmë. Spitali përballohet vetëm me fondet e shtetit, - shtoi ai.

Sipas informacioneve nga pikëkalimi kufitar në Morin, deri në orën 13 të mesditës, për asnjë çast nuk ka pushuar fluksi hyrës. Karvani i makinave dhe traktorëve, është nga Vërmica deri në Prizren. Parashikohet, që sonte i gjithë ky karvan, të jetë në Kukës. Numri i të dëbuarve, është tepër i madh.

E enjte, 1 prill 1999

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Havier Solana, shprehet se bombardimet do të vazhdojnë edhe disa javë, derisa të shkatërrohet makineria ushtarake e Jugosllavisë. Numri i të dëbuarve mund të arrijë në mbi 500 mijë veta, thonë agjencitë e ndryshme të lajmeve. Kësisoj, komuniteti ndërkombëtar dhe shteti shqiptar, duhet të marrin të gjitha masat e mundshme për të përballuar këtë krizë me pasoja serioze.

Gjatë gjithë natës së mbrëmshme, në rrethin e Hasit, kanë hyrë 11 mijë banorë të shpërngulur kryesisht nga Gjakova, Deçani e Peja dhe fshatrat përreth tyre. Sipas informacionit të marrë nga Bashkia e qytetit të Kukësit, çdo familje kuksiane, ka mesatarisht në shtëpi 14 shqiptarë nga Kosova. Deri tani, familjet kuksiane, nuk kanë marrë asnjë ndihmë humanitare. Problemet ata po i përballojnë vetë.

Sot, Ibrahim Rugova, u takua me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç. Ka plot paqartësi për këtë akt të tij. E ardhmja e afërt do të sqarojë shumëçka rreth këtij takimi, mbushur me mister e mjegull. Përballë këtyre veprimeve, çdo shqiptar mbet i shukatur sonte. Vetëm tradhtia, nuk ka vend në këto momente të vështira të popullit shqiptar. E pashë në kanalin televiziv të CNN-it, që u referohej kanaleve serbe, por nuk u besova syve. Të gjithë shqiptarët, duhet t'u ruhen provokacioneve dhe propogandës serbe, pasi po jetojmë momentet e ekzistencës ose mosekzistencës sonë kolektive. Presidenti, Rexhep Meidani, kërkon që me Rugovën të flasë shqip. Shkrimtarët e shquar, Dritëro Agolli dhe Sabri Godo, dënojnë veprimin e Rugovës, pavarësisht rrethanave se si është zhvilluar ai takim. Po kështu, edhe autoritetet e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, Jakup Krasniqi, e konsiderojnë veprimin e Ibrahim Rugovës si akt tradhtie kombëtare.

Kosova press deklaron, se kanë filluar bombardime në fshatin Tërpezë. Gjithashtu, lëvizje të trupave serbe ka patur edhe në drejtim të Komoranit, Grykës së Llapushnikut, Malishevës dhe Pejës. Popullata është zhvendosur në zona më të sigurta. Burime të sigurta nga fronti i luftës, bëjnë të ditur, se ra dëshmor për çlirimin e Kosovës djaloshi nga Kavaja, Indrit Cara. Trimat e luftës që e patën në krah, Kosharja dhe gjithë Kosova, nuk do ta harrojnë kurrë këtë djalosh atdhetar, i cili la studimet dhe dha gjakun për çlirimin e Kosovës martire. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Werhangen, deklaroi sot, se refugjatët nga Kosova, duhet të mbeten pranë zonës kufitare, sepse ne nisemi nga parimi, se do të arrijmë objektivin tonë për kthimin në Kosovë të të gjithë atyre që janë dëbuar.

Sot, në pikëkalimin e Morinit, ishte Kryetari i Parlamentit Shqiptar, zoti Skënder Gjinushi dhe deputeti Namik Dokle, ndërsa fluksi i të ardhurve ishte i pareshtur. Zoti Gjinushi, zhvilloi takime edhe në Prefekturë, ku u njoh me punën e Shtabit të mbikëqyrjes së situatës për përballimin e gjendjes së krijuar. Theksi në këtë takim, u vu në organizimin e punës për të transportuar për në rrethet e tjera sa më shumë shqiptarë nga Kosova, pasi kështu bëhet e mundur të kontrollohet situata. Ambasadori i OSBE-së, Dan Everts, sot u shpreh në Kukës, se po i kushtohet vëmendje e posaçme transportit dhe ushqimit të refugjatëve. Ne do të ndihmojmë Qeverinë shqiptare për përballimin e krizës. Ndërsa zëvendëskryeministri, Ilir Meta, i atashuar në Kukës, kërkoi ndërtimin e kampeve ku do të mund të strehoheshin rreth 30 mijë veta.

Komisionerja e lartë për refugjatë, Emma Bonino, inspektoi të ardhurit nga Kosova. Ajo shoqërohej nga ministri plotësues i Punëve të jashtëme të Gjermanisë, Werhangen, dhe autoritetet lokale. Komisionerja, Ema Bonino, e ka cilësuar të rëndë situatën dhe ka premtuar mbështetje të gjithanshme për të tejkaluar krizën.

Sipas burimeve dhe dëshmive nga të dëbuarit, rreth 50 mijë banorë kosovarë, janë në rrugën e Prishtinës në drejtim të Kukësit, disa prej të cilëve kanë mbërritur. Fshatrat e Kukësit, janë mbushur plot e përplot. Mbi 6 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova, janë në Shtiqën, 5.500 në Bicaj, rreth 6 mijë të tjerë në komunën e Bardhocit etj. Banorët kuksianë, po tregojnë gatishmëri të pashembullt për të strehuar sa më shumë kosovarë të dëbuar. Kështu, ata po ndihmojnë shumë Shtabin e mbikëqyrjes së situatës për të tejkaluar gjendjen e vështirë të krijuar gjatë këtyre ditëve.

Qeveria shqiptare, jep alarmin e mbarimit të rezervave ushqimore dhe barnave për të sëmurët. Ajo i kërkon komunitetit ndërkombëtar ndihmë të ngutshme në këtë drejtim. Sot, kanë hyrë në Kukës, mbi 15 mijë banorë të dëbuar nga Kosova. Kryesisht janë nga Opoja, Prishtina dhe Vushtrria. Deri dje, në rrethin e Hasit, kanë hyrë rreth dhjetë mijë persona, ndërsa vetëm sot kanë mbërritur nga Qafa e Prushit mbi një mijë vetë. Buka po sillet për refugjatët me makina dhe helikopterë. Furrat e Kukësit, aktualisht gatuajnë shtatë mijë bukë, ndërsa mbi tetë mijë vijnë nga Tirana dhe rrethet e tjera. Ka dalë problem ndërlidhja telefonike, si nevojë e komunikimit të familjeve të shpërngulura me njerëzit e tyre në vendet perëndimore. Sipas inxhinierit specialist, Lavdim Deda, filiali i Telekomit të Kukësit, po merr masa për të zgjeruar kapacitetin e tij, si nevojë e banorëve të shpërngulur, për t'u lidhur me të afërmit në vende të ndryshme ku ato punojnë.

E premte, 2 prill 1999

Edhe sot, ambasadori i OSBE-së, Dan Everts, po zhvillon takime me organizma qeveritarë dhe shoqata joqeveritare që veprojnë në Kukës, për të siguruar koordinimin e ndihmave për të dëbuarit. Kanë mbërritur 50 tonë ushqime, që të dëbuarve do t'u shpërndahen në pako. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së bujqësisë e ushqimit, në Kukës kanë ardhur gjithashtu edhe 88,5 ton miell, 50 ton sheqer, biskota, 630 copë batanije etj., dhe kërkohet veprim i shpejtë në shpërndarjen e tyre. Po kështu, janë vënë në dispozicion të të dëbuarve edhe 100 tonë grurë që do të bluhet dhe do t'u shpërndahet banorëve, familjarëve dhe furrave të bukës në qytet, që punojnë për kosovarët e dëbuar.

Në një intervistë që kryeministri, Pandeli Majko, i dha agjencisë Rojter, deklaroi se do t'i ofrojmë NATO-s të gjitha hapësirat... Shqiptarët e dëbuar, të mos ikin në vende të tjera, sepse kështu ndihmohet spastrimi etnik. Në kufirin maqedono-kosovar, janë arrestuar nga forcat e ushtrisë jugosllave tre ushtarë amerikanë. Sipas kanalit televiziv, Euro Njuz, jugosllavët thonë se ushtarët amerikanë kanë shkelur territorin e tyre, ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Uliam Kohen, shprehet se ushtarët janë rrëmbyer me forcë në territorin maqedonas. Ushtarët janë të trajtuar shumë keq nga ushtarakët jugosllavë.

Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, kërkon ta destabilizojë Malin e Zi, me anën e tentativës për spostim të lidershipit. Nga Medlin Olbrajt, sekretare amerikane e Shtetit, presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, u kërcënua me intensifikim bombardimesh. Shkakton bujë takimi i djeshëm i Ibrahim Rugovës me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç, në Beograd. Ibrahim Rugova, u shpreh dje në takim për dhënien fund të aksionit të bombardimeve të NATO-s, thirrje që bie në kundërshtim me mendimin e udhëheqësve të tjerë kosovarë. Ambasadori amerikan, Riçard Holbruk, i bëri thirrje liderit jugosllav, Milosheviç, për ta lënë të lirë Rugovën dhe t'i japë mundësi atij të takohet me ambasadorin amerikan, Kristofer Hill, në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë.

Tre ushtarët amerikanë të kapur nga serbët rrezikohen të dënohen, por kërcënimi nga presidenti amerikan, Bill Klinton, është i ashpër. Ndoshta kjo ngjarje, në të ardhmen, do të bëhet precedent i rrezishmëm në zhvillimet e mëtutjeshme. Shumica e britanikëve, janë për vendosje trupash në Jugosllavi. Sipas një sondazhi, botuar sot në gazetat britanike, 58 për qind e tyre mbështesin përdorimin e forcave tokësore, ndërsa 34 për qind janë kundër.

Dje, pati 22.500 të ardhur nga Kosova, ndërsa sot ritmi është rritur akoma më shumë. Sipas zëdhënësit të Prefekturës, Emri Peca, çdo ditë kalojnë kufirin mbi njëzet mijë veta. Me të ardhurit e djeshëm në pikën e Morinit, kanë hyrë mbi 130 mijë veta. Deri në ditën e sotme, në Kukës, kanë vdekur dhjetë banorë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në Kosovë. Vdekjet e tyre janë kryesisht natyrore, por ka edhe nga stërmundimi e streset.

Nga orën 8 deri në orën 11 të paradites, kanë hyrë në Kukës 14 mijë persona, ndërkohë që ambasadori i OSBE-së, Dan Evert, paralajmëron se dy ditët e ardhshme mund të hyjnë në Morin mbi 250 mijë të shpërgulur me dhunë. Pasdite fluksi përshpejtohet, ndërsa matanë kufirit, është një karvan i madh mjetesh transporti me banorë nga Prishtina dhe Opoja që kapin shifrën e 15 mijë vetave. Procesi i evakuimit në thellësi të vendit këto ditë ka ritme të kënaqshme. Vetëm sot, sipas përgjegjësit të grupit të evakuimit të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës, Qemal Parllaku, u transportuan  mbi 10 mijë veta, ndërsa Kukësi ka aktualisht mbi 130 mijë banorë të shpërngulur nga vatrat e tyre.

Në Maqedoni, kanë hyrë deri tani 45 mijë kosovarë dhe në ditët e ardhshme pritet që numri i shqiptarëve të dëbuar në Maqedoni të jetë shumë më i madh. Kryqi i Kuq, sot po shpërndan ndihma ushqimore. Koordinatori i shpërndarjes së këtyre ndihmave, Fatos Xhengo, thotë se ne kemi qenë të përgatitur për 30 mijë veta. Këtë numër kaq të madh të banorëve të shpërngulur askush nuk e kishte parashikuar.

Sot u varrosën pesë persona, që kanë vdekur gjatë rrugës dhe kanë mbërritur në Kukës në orët e vona të natës. Arsyeja e vdekjes së tyre, është goditja me mjete të forta dhe nga zemra. Në rrethet Kukës e në Has, numri i të vdekurve nga banorët kosovarë të shpërngulur është 16 veta. Në Qafën e Prushit, kanë hyrë mbi 10 mijë persona nga rrethinat e Gjakovës dhe Deçanit. Parashikohet se gjatë ditëve në vazhdim, nëpërmjet kësaj pike kalimi, fluksi i të dëbuarve do të jetë edhe më i madh. Çdo ditë, në spitalin e Kukësit, paraqiten për të kërkuar ndihmë mjekësore rreth 50 fëmijë. Problem kryesor mbetet mungesa e shtretërve, por ndihet edhe mungesa e theksuar e medikamenteve.

E shtunë, 3 prill 1999

U formua dje Qeveria e luftës, e cila do të ketë Kryeministër të saj, Hashim Thaçin. Dy zv/kryeministrat janë Mehmet Hajrizi, i Lidhjes së Bashkuar Demokratike (LBD) dhe një përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës që është i paplotësuar ende. Ministër i Informacionit publik do të jetë, Bajram Kosumi, i LBD-së, ministër i Financave, Adem Grabovci, i UÇK-së, ministër i Emigracionit, Rifat Blakaj, i LBD-së, ministër i Rendit publik, Rexhep Selimi, i UÇK-së, ministër i Drejtësisë, Hydajet Hyseni i LBD-së, ministër i Shërbimit informativ, Kadri Veseli, i UÇK-së, ministri i Rindërtimit dhe zhvillimit, ka mbetur i zbrazët, ministër i Mbrojtjes, Azem Syla, i UÇK-së, ministër i Pushtetit lokal, Ramë Buja, i UÇK-së. Zëdhënës i kësaj Qeverie të përkohshme lufte, është Jakup Krasniqi, i UÇK-së. Për LDK-në, janë lënë bosh vendet e disa ministrave në këtë qeveri të luftës, si ministria e jashtme, e arsimit etj.

Kryeministri, Pandeli Majko, sot takon drejtuesit e pushtetit lokal të rretheve. Ndër të tjera, ai thotë se duhet të ballafaqohemi si komb me situatën e jashtëzakonshme, krijuar pas konfliktit në Kosovë. Sot, ishte në Kukës deputeti, Namik Dokle, ambasadori i UNICEF-it, Robert Laurent dhe zonja Lidra Meidani. Ata bënë një vizitë në spitalin e Kukësit dhe panë në vend gjendjen e të sëmurëve nga Kosova. Më pas, ata vizituan edhe një qendër kolektive në zonën industriale, ku ishin strehuar 279 persona. Deri më sot, ata nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe nuk kanë as kushtet elementare të jetesës. Pasdite, zonja Lidra Meidani, shprehu dëshirën për të shkuar në pikëkalimin në Morin. Mijëra veta po kalonin në drejtim të Kukësit, pikërisht në çastet kur zonja Lidra Meidani, ndodhej në pikëkalimin e Morinit.

Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, tha në takimin me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, se për punën e shkëlqyer që po bën ky shtab, Qeveria ju falënderon. Disa nga problemet do t'i marrë përsipër NATO-ja në Kukës e Has, siç është transporti i refugjatëve etj. - u shpreh më tej ministri i Mbrojtjes. Vazhdon fluksi në pikëkalimin në Morin. Deri në orën 11, kanë hyrë mbi pesë mijë persona dhe është shumë vështirë të përballohet ritmi i të ardhurve.

Kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqri Subashi, në një intervistë për Radio-Kukësin, njeh opinionin e gjerë me punën që po bën ky organizëm në këtë situatë të rëndë. Dje në Rexhepaj, tre kilometra larg qytetit të Kukësit, filloi ndërtimi i një kampi nga Qeveria italiane. Ai do të përfundojë për pak ditë dhe parashikohet të këtë një kapacitet për të strehuar rreth gjashtë mijë persona.

Në spitalin e Kukësit, ka rreth 40 të shtruar nga Kosova, ndërsa vizitohen çdo ditë mbi 600 persona. Sipas drejtorit, Bajram Cena, spitali ka shumë nevojë për ndihma medikamentesh. Sot, nga Kosova në drejtim të Kukësit, kishte mbi gjashtë mijë të ardhur dhe sipas informacionit nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, deri dje në Kukës, kanë mbërritur mbi 180 mijë veta.

Bllaca, sot për sot, është fytyra e tragjedisë njerëzore. Kjo është golgota shqiptare, e krijuar nga shteti i dhunshëm në mesin e Evropës. Kemi njoftime se deri tani, në pritje për të kaluar kufirin për në Republikën ish- jugosllave të Maqedonisë, kanë vdekur 24 fëmijë. Qeveria maqedonase, përpara kësaj tragjedie njerëzore, qëndron indiferente. Ky shtet falso, nuk pranon shqiptarët nga Kosova, siç nuk pranoi Greqia propozimin e UNHCR-së për të strehuar 20 mijë refugjatë.

Sipas mjeteve të informimit, NATO-ja do të dërgojë në Shqipëri gjashtë mijë trupa, për të garantuar ndihmat humanitare për popullin e Kosovës. Në të ardhmen, ky numër do të arrijë deri në 10 mijë ushtarë. Edhe pse populli shqiptar, po përjeton çastet më të zymta të historisë së tij, edhe pse është koha që të kursehen artikuj që sjellin iritim e përçarje mes shqiptarëve, artikuj si ai i Mero Bazes me titull Lidhni qentë që lehin për hesap të Serbisë, botuar në gazetën RD, dëmton rëndë çështjen shqiptare. Krejt hapur, ky gazetar flet kundër interesave tona të përbashkëta. Duke u hedhur kundër Milaim Zekës dhe Azem Sylës, Mero Baze, i përfolur edhe më parë, si monstër e verbërisë politike dhe e njëanshmërisë së gazetarisë shqiptare, synon të arrijë një qëllim, që ngado ta sjellësh, është kundër luftës, e më në fund kundër çlirimit të Kosovës.

E diel, 4 prill 1999 

Në mesazhin që Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, i drejton popullit shqiptar, ndër të tjera, thuhet: Po ju flas me besimin e palëkundur, se jeni ju dhe vetëm ju, shqiptarët e thjeshtë e të ndershëm, ata që mund t'i jepni Qeverisë së Shqipërisë forcën e nevojshme për të përballuar sfidën më të egër, që mund të përfytyrohej për një Qeveri shqiptare në këtë periudhë rimëkëmbjeje të vendit....Më tej thirrja e Kryeministrit, Pandeli Majko, vazhdonte: Sot, më shumë se kurrë, është dita, që secili nga ne t'i ruhet dëshpërimit, panikut dhe anarkisë. Sot, më shumë se kurrë, duhet të ruajmë qetësinë e të bëjmë durim, duke pranuar sfidën e punuar për të nesërmen. Dështimi ynë i përbashkët në këtë sfidë, do të ishte turp që kurrë nuk do të na  falnin pasardhësit tanë...

Sot në mesditë, ishte në Kukës Kryeministri italian, Maximo d'Alema, i shoqëruar nga Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko. Kryeministri italian vizitoi kampin në ndërtim, që është marrë përsipër nga Qeveria italiane në Rexhepaj, afër uzinës së shkrirjes së bakrit. Një vizitë kryeqeveritari italian Maximo d'Alema, bëri edhe në spitalin e Kukësit. D'Alema u shpreh, se Qeveria italiane do të angazhohet seriozisht për t'u ardhur në ndihmë të dëbuarve, me ushqime dhe mjete të tjera. Unë dhe Italia, jemi në krahun e NATO-s, antare të së cilës jemi, - u shpreh Kryeministri italian, Maximo d'Alema. Ai u largua nga Kukësi rreth orës 16.

Sipas kanalit televiziv autoritar CNN, katërqind djem shqiptarë, të përcjellë me ceremoni nga pjesëtarët e familjeve të tyre dhe plot dashamirës të tjerë, nisen për në Kosovë për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së. Vullnetarët i përshëndet edhe ishkongresmeni me origjinë shqiptare, Xhozef Dioguardi.

Aktualisht, në depot e qytetit të Kukësit ka 600 ton grurë dhe 150 ton miell. Problem kryesor është furnizimi me bukë, pasi në Kukës gatuhen vetëm shtatë mijë bukë, ndërkohë që nevojat janë për rreth 25 mijë. Nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës i Prefekturës së Kukësit, bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme deri sot në  mëngjes kanë hyrë në Kukës 18.300 kosovarë të dëbuar, ndërsa në rrethin e Hasit 3.350 persona. Janë evakuuar nga Kukësi për në rrethet e tjera 13.245 veta. Fluksi i të ardhurve nuk ka pushuar edhe sot dhe deri në orën 11 të paradites kanë kaluar pikën e Morinit katër mijë persona. Deri sot në pikën e Morinit, kanë hyrë 187 mijë persona dhe janë transportuar në brendësi të vendit rreth 60 mijë veta.

Nëse nuk merren masa të shpejta furnizimi nga rrethet e tjera, uria është në pragun e derës. Jo vetëm kaq, por mund të shkaktohet një katastrofë humanitare, pasojat e së cilës vështirë mund të parashikohen. Në rrethin e Hasit, kanë hyrë 10 mijë veta dhe sipas burimeve nga UNHCR-ja, priten të futen nga Qafa e Prushit edhe 30 mijë të tjerë.

Vritet në frontin e luftës pjesëtari i UÇK-së, djaloshi nga fshati Arrën i Kukësit, Halit Riza Coka. Bashkë me dy kushërinjtë e tij, Ymer e Sami Coka, i thirri kushtrimi i lirisë e ndjenja e lartë patriotike. Me aktin e tij të lartë, Haliti u fut në panteonin e historisë së lavdishme të popullit tonë, si simboli i bashkimit kombëtar dhe i realizimit të ëndrrës shumëshekullore për të qenë të lirë e sovranë.

Qeveria shqiptare deklaroi, se do të lejojë evakuimin për në Shqipëri të të dëbuarve shqiptarë, që nuk lejohen nga Qeveria e ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë të hyjnë në këtë vend. Mbi 100 mijë, është numri i të bllokuarve në kufirin mes Kosovës dhe ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë. Republika ish-jugosllave e Maqedonisë, më në fund, ka hapur kufirin e saj dhe kështu ka shmangur tragjedinë e paparë, e cila mund të ndodhte. Deri sot në këtë ish-republikë jugosllave, janë 117 mijë kosovarë të dëbuar. Nuk dimë se sa mund ta lejojë të hapur kufirin qeveria e këtij vendi.

Kanë mbërritur dy ditë më parë edhe dy prokurorë të Gjyqit të Hagës, me synimin e mbledhjes së dëshmive të masakrave të ushtrisë serbe ushtruar mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Në qytetin e Bajram Currit, sot në mëngjes, kanë mbërritur mbi një mijë të dëbuar. Sipas burimeve të zyrës së OSBE-së në këtë rreth, pritet që ditët e ardhshme të mbërrijnë rreth 20 mijë banorë të tjerë kosovarë.

Në një intervistë, që shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, i ka dhënë gazetës franceze Le Monde, ndër të tjera, thotë se me këtë luftë, Evropa hapi një faqe të re të historisë së saj. Ajo filloi një luftë jo për vajguri, siç kanë dashur ta fajësojnë shpesh, as për interesa të tjera, por për një princip; mbrojtjen e të drejtave dhe të ekzistencës së popullit më të varfër të kontinentit.

E hënë, 5 prill 1999

Sipas komunikatës së fundit nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në  Prefekturë, vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Kukës 23.858 persona të dëbuar, ndërsa në rrethin e Hasit 6 mijë veta. Deri tani, kanë hyrë gjithsej 217.787 veta, ndërsa të evakuar në thellësi të vendit janë 80 mijë persona.

Në Kukës, deri ditën e sotme, kanë vdekur 18 persona, kryesisht fëmijë e pleq, ndërsa kanë lindur 22 foshnja. Po përleshen jeta me vdekjen, ku duket se do të fitojë jeta. Burime të ndryshme informacioni bëjnë të ditur se sot, në shtëpinë e tij në Prishtinë, Ibrahim Rugova, është takuar me ambasadorin rus, Juri Kotov dhe me zëvëndëskryeministrin jugosllav, Nikola Shainoviç. Ibrahim Rugova, në një frëngjishte të mekur, është shprehur gjatë këtij takimi se duhet dhënë fund kësaj gjendjeje në Kosovë. Duhen ndalur bombardimet dhe duhet vendosur një mbikëqyrje ndërkombëtare për këtë. Këtu, unë jam pa popullin tim, - tha ai.

Amerika do të nisë sot 24 helikopterë, Apaç, të cilët do të marrin pjesë në zgjerimin e hapësirës ajrore kundër forcave tokësore jugosllave në terren. Gjendja e të dëbuarve në Maqedoni, është tepër e rëndë. Për këtë arsye, Ema Bonino, komisionere e lartë për refugjatë e OKB-së, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për të marrë masa të ngutshme. Në spitalin e Kukësit, deri tani, rreth dy mijë veta kanë marrë ndihmë mjekësore. Burime nga spitali bëjnë të ditur, se kanë filluar shenjat e epidemive, ndërsa koha është në anën tonë. Nga organet përkatëse merren masa për kontrollin rigoroz të ujit dhe të ushqimeve.

Mjekët shqiptarë, u bëjnë thirrje fëmijëve të traumatizuar kosovarë me moton, një lodër është e barabartë me 100 pushkë. Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, deklaron se eksodi masiv i kosovarëve, nuk duhet trajtuar si problem refugjatësh, por si një deportim me forcë i një populli të tërë nga një diktaturë e egër, e cila ia kalon edhe asaj naziste, ushtruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, ka thënë: Në Luftën e fundit Botërore Evropa, pagoi çmimin e despotizmit dhe të urrejtjes etnike. Pas luftës ne thamë kurrë më. Por, ende disa taktika serbe, na kujtojnë shumë ato ditë të errëta... Kryeministri rus, Jevgeni Primakov, ushtron presion ndaj Perëndimit, me synim për të ndalur bombardimin kundër Jugosllavisë.

Forcat ushtarake serbe, kanë pushtuar plotësisht Kosovën duke e ndarë sipas rajoneve. Në Llapushnik ka një kompani tankesh, në Komoran janë vendosur dy kompani tankesh, në Valliak një skuadër tankesh, në Qafën e Duhlës një kompani këmbësorie. Ky rajon, nga autoritetet jugosllave është quajtur rajoni qendror. Në rajonin e Veriut janë shpërndarë në territorin e Shalës së Bajgorës një kompani tankesh, në zonën e Vushtrrisë dy kompani këmbësorie dhe po kaq në Podujevë. Ndërsa në rajonin e Jugut, në Deçan, është vendosur një kompani tankesh, në Gjakovë dy kompani këmbësorie dhe në Zhur të Prizrenit janë dy skuadra tankesh. Për pak kohë, ushtria jugosllave, përmes forcave dhe mjeteve luftarake, ka shkelur disa herë Marrëveshjen e tetorit 1998, nënshkruar midis Riçard Holbrukut dhe Slobodan Milosheviçit. Në këtë gjendje, e ashtuquajtura Jugosllavi synon të okupojë plotësisht Kosovën, madje edhe ta ketë pronë të saj pa shqiptarë. Më bie ndër mend shprehja e Patër Gjergj Fishtës, poet yni i madh, kur thoshte se serbët e duan Kosovën pa kosovarët.

E martë, 6 prill 1999

Në një thirrje të shoqatës Juristët për të drejtat e njeriut, theksohet ndjenja atdhetare dhe vitaliteti ynë kombëtar. Ndër tjera, thuhej: Është absurditet, që sot në Kosovë të ketë dy qeveri, kur në të njëjtën kohë populli kosovar po dënohet me dhunë dhe NATO-ja është në krahun tonë. Gjithashtu, theksohej se njerëz të veçantë, nuk duhet të përfitojnë nga fatkeqësia e popullit shqiptar të Kosovës. Arrin në 256.550 veta, numri i të adhurve nga Kosova. Vetëm mbrëmë, nga ora 18 deri në orën 8 të mëngjesit të sotëm, kanë hyrë në Kukës 32.700 banorë të dëbuar, ndërsa janë transportuar në rrethe të tjera 18.000 veta.

Sipas koordinatorit të grupit të evakuimin të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës në prefekturë, Qemal Parllaku, deri tani janë transportuar për në rrethet të tjera të vendit 114.000 persona. Megjithatë, po hasim në shumë vështirësi, pasi banorët nuk duan të ikin poshtë, - shprehej ai. Vetëm sot, janë kthyer prapa bosh gjashtë autobusë. E veçanta është se shumica dërrmuese e banorëve të shpërngulur janë nga fshatrat. Siç duket, te kjo pjesë e popullatës së Kosovës, okupatori shikon rrezikun më të madh. Ky fakt, më kujton porosinë që u jepte serbëve ideologu i shfarosjes së shqiptarëve në Ballkan, Vasa Çubriloviç. Ai në elaboratin e tij të marsit 1937 thoshte: Në radhë të parë duhet bërë shpopullimi i fshatrave dhe pastaj i qyteteve. Fshatrat janë më të stabilizuara dhe, për këtë arsye, më të rrezikshme... Më tej ideatori famëkëq serb theksonte: ...Është e pamundur të mposhten shqiptarët vetëm me anë të kolonizimit gradual. Ata janë një popull, që ka  mundur, në një mijë vjetët e fundit, jo vetëm t'i rezistojë bërthamës së shtetit tonë, Rashës së Zetës, por edhe t'i shkaktojë dëme lëvizjes së kufijve tanë etnikë në veri e lindje... Veprimet aktuale të Slobodan Milosheviçit dhe gjithë makinës së tij të terrorit, duket se po zbatojnë pikë për pikë porositë e atit të shovinizmit serb Vasa Çubriloviç.

Komisionerja e lartë për refugjatë, Sadako Ogata, erdhi sot në Shqipëri. Ajo u takua me Presidentin, Rexhep Meidani dhe Kryeministrin Pandeli Majko. Pasi do të bëjë një vizitë në Kukës, për të parë nga afër gjendjen e të dëbuarve me dhunë nga trojet e tyre në Kosovë, do të shkojë në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë, për të ndihmuar në tejkalimin e tragjedisë së Bllacës. Shqiptarë të arratisur në këtë vend, që sot vazhdojnë rrugën për në Turqi dhe në vende të tjera, si në Gjermani, Francë, Suedi etj.

Vetëm sot kanë hyrë në rrethet Kukës e Has afro 40 mijë banorë, kryesisht nga Prishtina, Peja, Prizreni, Gjakova etj. Menjëherë pas vizitës së Kryeministrit italian, Maximo d’ Alema, në Kukës, kanë mbërritur 40 mjete transporti me ndihma ushqimore për banorët e shpërngulur, dhjetë nga të cilat shkuan për në rrethin e Hasit. Në ndihmë të plotësimit të nevojave me ushqim, helikopterë të NATO-s sjellin në Kukës çdo ditë bukë dhe ushqime të tjera.

Në Kukës, kanë filluar të shfaqen simptomat e para të sëmundjeve epidemike, si zgjebja, hepatiti virual, tifoja, dizanteria etj. Mjekët bëjnë thirrje, që brenda muajit të realizohet vaksinimi. Sipas të dhënave nga mjekët kosovarë, vetëm 2 për qind e popullsisë kosovare, veçanërisht e fëmijëve, është e vaksinuar. Përsëri po ndodh tragjedia në Bllacë, pas mbylljes së sërishme të kufirit nga Qeveria maqedonase. Llogariten të jenë mbi 120 mijë veta, që presin të kalojnë kufirin. Numri i të vdekurve shtohet në çdo moment. Në Suharekë ka të paktën dy varreza masive. Hasan Berisha, 47 vjeç, që ka mbërritur dje në Kukës, ka dëshmuar se të dielën në mbrëmje forcat ushtarake serbe kanë vrarë rreth 40 burra në qytetin e Suharekës. Të gjithë të vrarët janë hedhur në dy gropa në periferi të qytetit.

E mërkurë, 7 prill 1999

Sot, në Bruksel, zhvillohet mbledhja e Grupit të kontaktit, në nivel drejtorësh politikë, ku do të diskutohet problemi i zgjidhjes së konfliktit në Kosovë. Pritet të vijë në Kukës komisionerja e lartë për refugjatë e OKB, Sadako Ogata. Pas Tiranës, ajo do të jetë në Kukës, për të parë nga afër shpërndarjen e ndihmave për shqiptarët e dëbuar nga Kosova. Një nga drejtuesit e lartë të NATO-s, Balantino, zëvendëssekretar i përgjithshën i këtij organizmi ushtarak, i shoqëruar nga sekretari i shtetit për integrimin euoro-atlantik, Maqo Lakrori, bëri një vizitë të shpejtë në Kukës. NATO, do të sjellë 6.500 paqeruajtës në Shqipëri. Funksionari i lartë i NATO-s, pas takimit me drejtues të Prefekturës dhe të pushtetit lokal, bëri një vizitë edhe në Kampin italian 1 në Rexhepaj.

Në qytetin e Kukësit, ka 160 mijë njerëz nga Kosova, veç atyre 25 mijë banorëve të vet. Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, dekretoi një armëpushim të njëanshëm në Kosovë dhe i propozoi Ibrahim Rugovës, të hartojë një marrëveshje të përkohshme, që do të shpjerë Kosovën në një autonomi thelbësore. Këtë "marrëveshje", e hodhën poshtë shumë liderë evropianë dhe amerikanë. Kryekomandanti i NATO-s, gjenerali Uesli Klark, u shpreh: Ne po sulmojmë dhe shkatërrojmë sistematikisht komandën dhe qendrat e kontrollit, mbrojtjen kundërajrore, si dhe kapacitetin e Serbisë për të sulmuar popullin e Kosovës. Presidenti amerikan, Bill Klinton, është shprehur katërcipërisht kundër propozimit të Slobodan Milosheviçit, ndërsa Presidenti francez Zhak Shirak, me rastin e Pashkëve, hodhi poshtë propozimin për armëpushim të Milosheviçit. Një qëndrim të tillë të prerë, mbajtën edhe gjermanët e britanikët.

Deri mbrëmë, në Kukës kanë hyrë 270.881 shqiptarë nga Kosova dhe janë transportuar në  brendi 113.572 veta. Kosovarët e dëbuar, kanë hyrë në Kukës kryesisht me automjete të veta, por të shumtë janë edhe ata që kanë ardhur në këmbë. Këta janë edhe më të lodhurit e të drobiturit që kërkojnë ndihmë urgjente. Vetëm mbrëmë, kanë hyrë 5.403 automjete dhe rreth 25 mijë persona. Sipas njoftimeve, vargu i makinave është i pandërprerë që nga Prishtina deri në Kukës.

Të martën në  mesnatë, Qeveria maqedone, përcolli për në Shqipëri në mënyrën më brutale 20 mijë shqiptarë nga Kosova, ndërsa mbi 30 mijë të tjerë i ka kthyer mbrapa për në Kosovë. Llogaritet, që vetëm gjatë bllokimit për disa ditë në Bllacë, kanë vdekur 72 persona. Të ardhurit, por edhe banorë të Tërthores, dëshmojnë se fshati Vermicë, shumë pranë fshatit Morin, po digjet. NATO-ja, ka goditur mbrëmë Beogradin. Sipas agjencisë franceze AFP, bëhet fjalë për një dyzinë bombardimesh në periferi të kryeqytetit serb, ku ndodhet selia e Shtabit të Zemunit dhe aeoroporti ushtarak Batajnica. Zëvëndëspresidenti jugosllav, Vuk Drashkoviç, urdhëroi mbylljen e kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Kështu, mijëra refugjatë u kthyen mbrapa. Nuk i bihet në fije planit serb, se ç'kërkon me këtë manovër.

Mbrëmë rreth orës 19, nga autoritetet jugosllave është mbyllur pikëkalimi në Vermicë. Po dje, është mbyllur edhe pikëkalimi në Qafë të Prushit. Në çastet kur u mbyll Qafa e Prushit, mijëra refugjatë prisnin të kalonin, por nuk u lejuan. Nuk dihet fati i tyre. Në tregun e qytetit, vazhdojnë spekulimet lidhur me rritjen e çmimeve. Gjithashtu, ka patur luhatje edhe tregu i valutës.

E enjte, 8 prill 1999

Sot, ka vizituar Kukësin, komisionerja e lartë për refugjatë e OKB-së, Sadako Ogata. Në orën 13, 30, ajo takohet me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë. Kryetari i shtabit, Qemal Elezi, i bën një paraqitje të hollësishme të gjendjes njëmbëdhjetë ditë pas krizës. Sipas tij, janë 274 mijë banorë shqiptarë që kanë ardhur deri tani, kryesisht fëmijë e gra. Aktualisht në Prefekturë, ka 160 mijë veta, nga këta 110 mijë në qytete, ndërsa pjesa tjetër në fshatra. Kushtet janë tejet të vështira, që domosdoshmërisht kërkojnë ndihmën ndërkombëtare. Komisionerja, Sadako Ogata, tha: Ne falënderojmë dhe respektojmë thellë kontributin, që po jep populli i Kukësit. Ky popull është bujar, si rrallë ndonjë popull tjetër. Të mbash, të ushqesh e t'i shërbesh një mase njerëzish, që kalon më shumë se pesëfish numrin e banorëve të këtij vendi, do të thotë, që ju keni bërë atë që pakkush e beson. Ky akt i lartë juaji, pra i popullit të Kukësit, na obligon ne edhe më shumë për t'ju ndihmuar të përballoni situatën e krijuar. Janë 60 mijë veta nën qiell të hapur, që përbëjnë rrezikun e një katastrofe humanitare, prandaj ne do të ngremë kampe strehimi dhe kemi plane konkrete për të bërë të mundur përballimin e situatës. Pra, ne nuk do të ndihmojmë vetëm kosovarët, por edhe këtë popull të mrekullueshëm që ka ndarë kafshatën me ta.

Ishin në Kukës ministrat, Ylli Bufi dhe Ethem Ruka. Ministri i Arsimit, Ethem Ruka siguroi, se shkollat e Prefekturës do të riaftësohen pas krizës. Më tej, ministri i Arsimit dhe Shkencës, në një takim me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë u shpreh, se organizmat ndërkombëtarë kanë siguruar një milion dollarë për këtë zonë. Ministri i Ekonomisë publike dhe privatizimit, Ylli Bufi, vërejti se ndihmat ushqimore janë të pamjaftueshme, por do të këmbëngulet nga Qeveria për të plotësuar në maksimum nevojat aktuale që ka gjithë zona. Në Kukës, bëri një vizitë sot zëvendëskryeministri çek, Egon Lansky. Në emër të Qeverisë çeke, ai siguroi se do të ndihmojë Shqipërinë me të gjitha mundësitë, për të tejkaluar krizën që solli konflikti i Kosovës. Konkretisht, delegacioni çek solli me destinacion qytetin e Kukësit dy avionë me ndihma, një spital fushor, disa ton ndihma ushqimore dhe medikamente.

Në kushtet që janë krijuar, kur numri i popullsisë së qytetit të Kukësit është shtuar pesë herë, domosdoshmëri ka dalë furnizimi me ujë të bollshëm i familjarëve dhe mjediseve të tjera publike. Sipas Qemal Parllakut, inspektor i Zyrës së sherbimeve në Prefekturën e Kukësit dhe koordinatori i lëvizjes së banorëve të shpërngulur për në rrethet e tjera, po vazhdon puna për hapjen e çezmave publike, që do t'u shërbejnë banorëve kosovarë. Këto çezma do të hapen brenda territorit të qytetit të Kukësit, por edhe atje ku është e domosdoshme, sidomos nëpër qendrat kolektive,- shprehet ai.

Ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, u takua sot në mëngjes, në Bruksel, me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut, Havier Solanën, lidhur me gjendjen në Kosovë. Ka pasur një konferencë shtypi ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, së bashku me tre gazetarë shqiptarë: Blerim Shala, Migjen Kelmendi dhe Baton Haxhiu, të cilët para botës dëshmuan për masakrat që ushtria serbe po bën ndaj popullit kosovar. Ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, u shpreh tekstualisht: Qeveria e Hashim Thaçit, është pjellë e marrëveshjes së Rambujesë. Ne shpresojmë, se ajo do ta shpjerë Kosovën drejt demokracisë, paqes dhe stabilitetit, andaj konfirmojmë kontaktet me të.

Ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini, shprehet se është kundër bombardimeve të NATO-s mbi objektet strategjike ushtarake jugosllave. Qëndrimi i ministrit italian, Lamberto Dini, është kundër rrjedhës së Aleancës. Homologu i tij britanik, Robin Kuk, kundërshton kategorikisht mendimin e ministrit të jashtëm italian, Lamberto Dini duke theksuar, se ne do t'i intensifikojmë bombardimet, derisa presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, të pranojë pesë kushtet e vendosura këto ditë nga NATO-ja".

Futen armë ruse dhe mercenarë rusë në Kosovë, në ndihmë të ushtrisë jugosllave. Një akt të tillë e mohojnë rusët, përmes një deklarimi të ministrit të tyre të Mbrojtjes. Ai për mediat u shpreh, se nuk futemi në luftën në Ballkan. Moska po përgatitet me iniciativa të reja për zgjidhjen e konfliktit. Ndërkohë në Moskë, shkoi kryetari i OSBE-së, Knud Wollebek, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Igor Ivanov, për të diskutuar lidhur me probleme të ndryshme të konfliktit në Kosovë.

Qeveria maqedonase, ka mbyllur kufijtë me Shqipërinë, duke treguar kështu vijën e vet antishqiptare. Ndjenja antishqiptare ka treguar edhe lideri i tyre, Kiro Gligorov, duke krijuar situatën tragjike në Bllacë dhe duke quajtur UÇK-në organizatë terroriste. Titisti plak, Kiro Gligorov, nuk ka si të veprojë ndryshe. Çarsl Uolld, zyrtar i lartë i Forcave ushtarake ajrore të NATO-s tha dje, se sulmet tona kundër rezervave të karburantit dhe furnizimeve të tjera me lëndë djegëse kanë kufizuar dukshëm aftësitë e ushtrisë jugosllave. Numri i të transportuarve nga Kukësi për në rrethet e tjera deri sot, është mbi 150 mijë veta.

E premte, 9 prill 1999

Sipas drejtorit të Shëndetit publik, Gani Gashi, në spitalin e Kukësit, bëhen rreth një mijë vizita në ditë që tregon volumin e madh të punës të mjekëve specialistë të Qendrës spitalore të qytetit tonë. Vetëm dje në Kukës, pati gjashtë lindje dhe një vdekje, - tha zoti Gashi.

Shtrohet domosdoshmëria e lëvizjes me forcë të banorëve për në rrethet e tjera. Për këtë gjë, u diskutua sot në Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit. Qëndrimi në këtë qytet i më tepër se 130 mijë banorëve, përbën rrezik serioz për shfaqjen dhe përhapjen e epidemive të ndryshme që mund të shkaktojnë një katastrofë njerëzore.

Janë zënë edhe oborret e shkollave me banorë të shpërngulur kosovarë. Dy mijë të shpërngulur, janë në oborrin e shkollës Riza Spahiu, 2400 në oborrin e shkollës Avni Rustemi, 1600 në shkollën Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 2200 në shkollën Bajram Curri, mbi 2.400 në shkollën e mesme Havzi Nela etj. Sipas zotit Qemal Parllaku, koordinator i grupit të evakuimit në Shtabit të mbikëqyrjes, që nesër do të fillojë lirimi i oborreve të shkollave dhe banorët kosovarë që kanë zënë ato do të transportohen për në thellësi të vendit. Transporti i tyre do të kryhet me mjetet ushtarake të NATO-s.

Sipas drejtorit të Drejtorisë policore, Jonuz Hykaj, situata e rendit është e qetë. Ai tha, se ka patur një vrasje nga pakujdesia në fshatin Golaj, ndërsa në Kampin italian 1, ka shpërthyer zjarr në një çadër, por nuk ka patur viktima. Në Luksemburg, vendet e BE-së dje miratuan një rezolutë, që konsideron operacionet e NATO-s të nevojshme e të justifikuara dhe për krizën në Ballkan bëhet përgjegjës plotësisht presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç.

Nga shumë shtete të Evropës dhe botës, shprehet gatishmëri për të pritur refugjatë të shpërngulur nga trojet e tyre etnike në Kosovë. Ka frenuar ikjen edhe fjala me rëndësi historike e kryeministrit, Pandeli Majko, i cili u drejtohet shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga Kosova të mos largohen. Shqipëria, është e gatshme të strehojë të gjithë kosovarët, po qe nevoja, - tha kryeministri Majko. Largimi i shqiptarëve për në vende e tjera, varros përgjithmonë problemin shqiptar nga njëra anë dhe nga ana tjetër, nxit shtetin serb për të vulosur okupimin përfundimtar të Kosovës.

Po i kushtohet rëndësi e madhe problemit të unitetit të vendeve anëtare të NATO-s, me qëllim të mposhtjes së sigurt të diktatorit të Ballkanit, Slobodan Milosheviç. Kryeministri britanik, Toni Bler shprehet, se vështirë të imagjinohet, që Kosova mund të vazhdojë të jetë më pjesë e Jugosllavisë. Këtë deklaratë e dha në një intervistë në BBC. Është hera e parë që një lider evropian, shpreh idenë e shkëputjes së Kosovës që bie ndesh me marrëveshjen e Rambujesë, e cila parashikonte autonominë nën Jugosllavi.

Vazhdon të jetë i bllokuar pikëkalimi në Morin, por sipas informacioneve nga UNHCR-ja, pritet të fillojë përsëri deportimi i dhunshëm i shqiptarëve etnikë. Në rrethin e Hasit aktualisht, qëndrojnë 57 mijë shqiptarë të dëbuar dhe të strehuar në familjet e kësaj treve atdhetare e bujare. Numri i gjithë banorëve në këtë rreth, është 21 mijë banorë. Sot për sot, çdo banori hasjan, i takon të mbajë afërsisht tre banorë të dëbuar nga Kosova.

Sipas një testi radiofonik, doli se nga 100 banorë kosovarë të shpërngulur, 93 janë për qëndrimin e tyre në Shqipëri, me synimin për të mos lënë Kosovën. Kanë filluar problemet sociale. Deri tani kanë ndodhur 97 plaçkitje, sidomos të automjeteve. Forcat e rendit kanë mundur të zbulojnë vetëm shtatë raste, dy nga të cilat janë kryer nga plaçkitës të ardhur nga Peshkopia. Sipas Shefit të Komisariatit të Policisë në Kukës, Ylber Duraku, vjedhës ordinerë janë shfaqur edhe nga Puka e Mirdita. Vetë familjet e ardhura nga Kosova, po pastrojnë mjedisin ku janë vendosur. Rol të madh luajnë gratë e vajzat e vyeshme kosovare. Ato po bëjnë çmos për të shmangur epidemitë. Për shkak të fluksit të madh të lëvizjeve në rrugën e Tiranës, ky aks i rëndësishëm rrugor aktualisht ka pësuar dëmtime të mëdha.

Një përpjekje e presidentit qipriot, Spiris Çiprianos, për të liruar tre ushtarët amerikanë ka shkuar kot. Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, nuk ka rënë dakord në asnjë pikë me të. Nga ana tjetër, Presidenti rus, Boris Jelcin, kërcënon gjithë botën demokratike duke u shprehur, se po qe se NATO-ja futet në Kosovë, pa lejen e Slobodan Milosheviçit, Rusia do të futet detyrimisht në luftë. Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë marrë vendim që në Kukës të ndërtojnë një kamp të madh me një kapacitet për 12 mijë banorë.

E shtunë, 10 prill 1999

Është marrë Kosharja nga UÇK-ja. Luftëtarët shqiptarë, kanë krijuar një korridor mbi 20 kilometra në thellësi të kampit armik, që ka krijuar mundësinë e furnizimit me armë e ushqime, jo vetëm të ushtrisë në front, por edhe të popullsisë së zhvendosur nga fshatrat në vende të tjera më të mbrojtura. Sot në Kukës, bëri një vizitë një delegacion i ministrisë së mbrojtjes të Greqisë kryesuar nga ministri, Akis Ksehaksopullos. Ai, shoqërohej nga zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle dhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Luan Hajdaraga. Ministri grek i Mbrojtjes, Ksehaksopullos tha, se kemi ardhur për të parë gjendjen në vend dhe mundësitë tona për t'ju ndihmuar në përballimin e situatës së rëndë. Do të ngremë një kamp, ku mund të strehohet një numër i konsiderueshëm të dëbuarish.

Sipas Kryetarit të Këshillit të rrethit të Hasit, Hysni Alia, ka filluar sot shpërndarja e tri mijë copë batanijeve dhe e një sasie të konsiderueshme artikujsh ushqimorë. Problem është vendi ku mund të magazinohen. Gjithashtu, zoti Alia kërkon ndihmë me policë për të ruajtur rendin, por edhe për të vendosur rregull në shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Në fshatin Fajzë të rrethit të Hasit ka mbi 750 kosovarë të dëbuar, por që ende nuk janë ndihmuar as nga shteti, as nga ndonjë shoqatë joqeveritare. Të gjitha problemet po i përballojnë vetë fshatarët.

Pas tri ditë mbyllur, mbrëmë rreth orës 23, është hapur përsëri pikëkalimi kufitar në Vermicë. Deri në mëngjes, kanë kaluar rreth tre mijë veta që vinin kryesisht nga Fushë-Kosova. Në mëngjes, është mbyllur përsëri ky pikë-kalim dhe të shpërngulurit që prisnin të kalonin në ata çast, janë kthyer mbrapsht.

Në mëngjesin e sotëm, shkuam në pikëkalimin e Morinit. Nga punonjës të UNHCR-së, u informuam se karvanë të gjatë makinash dhe traktorësh, janë nisur në drejtim të kufirit dhe nga çasti në çast, pritet të mbërrijnë në pikë- kalimin e Morinit. Kampi italian në Rexhepaj, është ngritur dhe të ardhurit e sotëm janë strehuar në të. Kampi ka të gjitha kushtet për jetesë dhe parashikohet të strehojë më shumë se gjashtë mijë banorë shqiptarë të dëbuar nga territoret e tyre etnike.

Gjatë gjithë natës, avionët luftarakë të NATO-s, kanë goditur objekte në Jugosllavi, ndër ta edhe transmetuesin e televizionit serb në Kosovë. Kongresmenë amerikanë i bëjnë thirrje Presidentit, Bill Klinton, për të ndërhyrë me trupa tokësore në Kosovë. Këtë thirrje, ata e bënë pasi vizituan selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të shoqëruar nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Uiliam Kohen. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po fuqizohet çdo ditë. Radhët e saj, po shtohen me luftëtarë që vijnë nga Perëndimi dhe bashkë me ata që kanë vendosur familjet e tyre në Shqipëri, nisen për në front. Përveç djemve ka shumë vajza, që i përgjigjen thirrjes së Atdheut  O sot, o kurrë.

Mbrëmë, ka ndodhur një incident i armatosur në vijën e kufirit në fshatrat Padesh e Kamenicë të rrethit të Tropojës. Forca të shumta ushtarake serbe, kanë shkelur tokën tonë dhe kanë qëlluar në drejtim të fshatrave. Njësitë tona ushtarake dhe burra të fshatrave Padesh e Kamenicë të rrethit të Tropojës, kanë reaguar ashpër dhe më shumë vendosmëri. Agresori, është tërhequr në thellësi. Nuk ka patur viktima.

Deri tani, 21 mijë persona të dëbuar, janë strehuar në fshatra të Kukësit. Ndihmat ishin të planifikuara vetëm për tre mijë veta. Vetëm sot, sipas evidencave, janë shpërndarë 60 ton miell, 10 ton vaj, 10 ton sheqer e 9 ton fasule. Në familjet e qytetit, ndihmat janë shpërndarë në varësi të numrit të personave, që familjarët kanë strehuar në shtëpi. Në këtë operacion humanitar, janë angazhuar mbi 30 shoqata joqeveritare e organizma të tjerë humanitarë, por peshën kryesore e  mbajnë UNHCR-ja dhe Kryqi i Kuq.

Vetëm në qytetin e Krumës dhe fshatrat përreth, aktualisht janë strehuar mbi 20 mijë të dëbuar. Aty, ndihmat nuk janë aspak të mjaftueshme. Nga ky rreth, kanë lëvizur shumë banorë të shpërgulur për në zona të tjera të vendit Qëllim i Shtabit të mbikëqyrjes së situatës, është që në ditët e ardhshme të intensifikohet transporti i banorëve kosovarë nga rrethi i Hasit. Veç të tjerash, kjo bëhet edhe për faktin se kjo zonë është shumë pranë frontit të luftës. Nga pikëkalimi i Qafës së Prushit, nuk ka dyndje qe katër ditë.

Sipas burimeve të ndryshme informative, Bashkimi Evropian, për të përballuar krizën e refugjatëve u akordon Shqipërisë, Malit të Zi dhe Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë 250 milionë euro. Sipas informacionit në spitalin e Kukësit, kanë vdekur dy persona nga Kosova. Bëhet e ditur se vdekja e tyre, ka qenë nga stërmundimi e lodhja e jashtëzakonshme.

Në qytetin e Kukësit, e kalojnë natën nën qiellin e hapur, më shumë se 80 për qind e shqiptarëve të dëbuar. Shtëpitë e kuksianëve, janë të mbushura përplot. Drejtpërdrejt në studion e Radio-Kukësit, ishin sot krijuesit kosovarë, Nexhat Çoçaj e Nuri Pervizi. Bisedën e ndihmuan edhe Bajazit Cahani me Sulejman Didën, Të ftuarit diskutuan dhe dhanë mendimet e tyre të vyera për situatën e vështirë që po kalon kombi ynë.

E diel, 11 prill 1999

Gjendje e tensionuar në kufirin tonë, sidomos në zonën e Tropojës së vjetër, Padeshit dhe Kamenicës. Jugosllavia, kërkon medeomos të përfshijë në konflikt Shqipërinë. Sipas drejtorit të Drejtorisë së policisë së Kukësit, Jonuz Hykaj, nga predhat e artilerisë serbe janë vrarë dy persona, Tahir Shaban Hoxha dhe një tjetër akoma i paidentifikuar. Sipas këtij burimi, kanë mbetur të plagosur edhe polici, Agim Isaku, dy ushtarë të kufirit dhe oficeri, Selim Demnushi.

Përsëri të ardhur në orët e vona të mbrëmjes. Kryesisht, ishin nga Fushë- Kosova dhe fshatrat e kësaj zone. Deri tani, që nga fillimi, në Kukës kanë hyrë 278.088 kosovarë të dëbuar. Sot, janë transportuar poshtë 4.234 persona. Prej ditës së fillimit të krizës për në rrethe të tjera të vendit, janë transportuar 145 mijë veta. Në Prefekturën e Kukësit, aktualisht ka 133.302 persona. Llogaritet që kostoja e një të ardhuri nga Kosova, të jetë 100 dollarë në muaj. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Informacionit, Kristo Mërtiri, që është i atashuar në Kukës, shpërndarja e ndihmave ka qenë e parregullt nga veprime që kanë sjellë edhe anomali serioze.

Ishte sot në Kukës një delegacion i UNICEF-it, shoqëruar nga zonja Lidra Meidani dhe Ministrja e Ekonomisë, Ermelinda Meksi. Drejtim kryesor i vizitës së tyre, ishte mënyra si mund të ndihmohen fëmijët për të tejkaluar këtë gjendje të vështirë krize. Ata, vizituan edhe spitalin dhe familje të dëbuara me dhunë nga Kosova. Një nga pikat më të dobëta të këtyre ditëve, është problemi i lëvizjes së banorëve të dëbuar në rrethe të tjera. Makina transporti dhe autobusë ka, por banorët nuk duan të lëvizin poshtë, me shpresë se shpejt do të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë. Sot për këtë problem, u prononcua nëpunësi i Zyrës për refugjatë me qendër në Kukës, Jonuz Kola, i cili u bëri thirrje banorëve të shpërngulur nga Kosova për të shkuar në rrethet të tjera, sepse sa më shumë të ulet numri i banorëve që qëndrojnë në Kukës, aq më e madhe është edhe mundësia për të mbikqyrur situatën e krijuar nga kriza.

E hënë, 12 prill 1999

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, do të takojë në Bruksel Sekretaren Amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, me kërkesën e kësaj të fundit. Ajo e bën këtë takim, në kuadër të bisedimeve me autoritetet e shteteve në kufi me Jugosllavinë. Po sot, në Bruksel, zhvillohet mbledhja urgjente me ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s, për të diskutuar lidhur me gjendjen në rajon. Pritet të shprehet uniteti i 19 vendeve të NATO-s për të mposhtur dhunën në Jugosllavi.

NATO-ja, do të dërgojë 8 mijë trupa në Shqipëri në kuadër të misionit Streha Aleate. Misioni i kësaj force, do të jetë humanitar. Ata do të ndihmojnë kosovarët e dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Medelin Olbrajt, është takuar në Bruksel me zëdhënësin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Jakup Krasniqi, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe të refugjatëve që janë në Shqipëri. Gjermania, mund të propozojë një plan të ri për dislokimin e një force ushtarake në Kosovë drejtuar nga OSBE-ja, bëri të ditur sot gazeta britanike The Gardian.

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç u shpreh mbrëmë, se presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, i përket së kaluarës. Problemi më i madh sot, është ndalja e katastrofës humanitare. Të gjithë shoqatat joqeveritare dhe organizmat e tjerë humanitarë, janë në ballë të këtij problemi. Koha aktualisht, është e favorëshme, një pranverë e lagësht dhe e freskët. Sot, në pikëkalimin e Morinit, erdhën vetëm 20 persona të dëbuar.

Evakuuimi i të dëbuarve poshtë po ecën shumë ngadalë dhe kjo dukuri, është shqetësim për të gjithë organizmat që punojnë në Kukës. Qëndrimi në Kukës i  më shumë se 100 mijë personave, është rrezik i përhershëm për epidemitë që mund të shfaqen nga çasti në çast. Goditen vazhdimisht me artileri nga ushtria jugosllave, fshatrat në rrethin e Hasit dhe të Tropojës. Deri tani, ka patur 4 civilë të vrarë dhe 23 të plagosur. Kjo do të thotë, se edhe Prefektura e Kukësit është përfshirë në konflikt.

Burime nga terreni, bëjnë të ditur se luftatarët e lirisë po luftojnë me vendosmëri në Rrafshin e Dukagjinit. Qyteti i Pejës dhe i Deçanit, janë në duart e UÇK-së. Gjithashtu, luftatarët e UÇK-së, kanë kanë futur në zotërim edhe dy posta kufiri. Dje pasdite, në Padesh e Kamenicë të rrethit të Tropojës, kanë rënë shumë predha. Zhvillim i rrezikshëm është goditja e Tropojës së Vjetër, ku për shkak të tyre, ka dy të vdekur dhe 12 të plagosur. Qeveria shqiptare bëri një deklaratë proteste, ku dënon goditjen me predha nga ushtria jugosllave në territorin shqiptar.

Sot në orën 17, kanë kaluar kufirin 50 persona nga Prizreni. Një pjesëtar i familjes Muriqi tha, se në qytetin e Prizrenit po i grumbullojnë të rinjtë dhe nuk dihet se ku i shpien. Nata e mbrëmshme, është karakterizuar nga intensifikimi i bombardimeve të avionëve luftarakë të Aleancës së Atlantikut. Janë goditur Rafineria e naftës në Pançevë dhe uzina e automobilave Zastava. Nëntë raketa, ranë mbi këtë objekt në orën 2, 45 minuta. Po kështu, është shkatërruar edhe uzina e Kragujevacit, 110 km në jug të Beogradit.

Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë ka zhvilluar bisedime me Zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë, Xhejms Rubin dhe ministrin e Jashtëm britanik, Robin Kuk. Bashkëbiseduesit e siguruan zotin Hashim Thaçi, për vendosmërinë e NATO-s në sulmet kundër ushtrisë jugosllave. Në spitalet e Kukësit, Krumës dhe Bajram Currit, janë të shtruar 194 persona kosovarë, ndërsa nevojat janë shumë më të mëdha. Prandaj, është e domosdoshme që shoqatat humanitare të përqendrojnë më shumë vëmendjen në këtë drejtim. Dje, mbërritën në Kukës, 50 automjete italiane të MCR-së, siç quhen ndryshe vullnetarët alpinë, që do të ndërtojnë një kamp tjetër.

E martë, 13 prill 1999

Në Padesh e Kamenicë të rrethit të Tropojës, ushtarët serbë janë futur rreth 600 metra brenda kufirit tonë dhe për katër orë rresht, kanë goditur në drejtim të fshatrave afër kufirit. Forcat tona të ushtrisë, u janë përgjigjur me zjarr dhe pas një përpjekjeje disaorëshe rreth orës 16 të pasdites, ushtarët serbë, janë detyruar të kthehen mbrapa. Ministri i Informacionit i Qeverisë shqiptare, Musa Ulqini deklaroi, se dënojmë ashpër provokacionet serbe në kufirin shqiptar. Ai thotë, se sovraniteti i Shqipërisë, nuk mund të preket, e që nga kjo ditë, ushtria shqiptare është urdhëruar që për çdo incident të përgjigjet me zjarr.

Ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Medlin Olbraljt, kanë filluar sot në Oslo bisedimet rreth krizës në Kosovë. Ndërkohë, Pentagoni, parashikon të dërgojë 300 avionë të tjerë luftarakë për të forcuar sulmin ajror mbi objektet ushtarake dhe strategjike të Jugosllavisë. Pesë kushtet që bashkësia ndërkombëtare, i ka vënë makinës së dhunës serbe janë: ndalim i të gjithë operacioneve ushtarake në Kosovë dhe dhënie fund e vrasjeve; tërheqje e të gjitha forcave serbe, ushtarake, paraushtarake dhe të policisë; vendosja e një force ndërkombëtare garancie në Kosovë; kthimi i të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe përcaktimi i një administrate për Kosovën mbi bazë të marrëveshjes së Rambujesë.

Që nga mesnata e mbrëmshme, në Kukës kanë ardhur 4.930 të dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kosovë. Kryesisht, janë nga Fushë-Kosova, por ka edhe nga rajone të tjera të Kosovës. Janë 230 traktorë dhe rreth 50 vetura, me të cilat ata kanë mbërritur në Kukës. Sot, filloi mësimi në të gjithë shkollat e qytetit pas dhjetë ditë ndërprerjeje. Po shqyrtohet hapja sezonale e një shkolle për fëmijët kosovarë. Për këtë, po kërkohet ndihma nga organizmat ndërkombëtarë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, deklaroi: Nuk do të lejohet në asnjë rast shtrirja e konfliktit në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit, kanë rënë 15 predha që kanë dëmtuar shkollën e këtij fshati. Predha të artilerisë serbe, kanë rënë dhe në fshatin Cahan. Gjenerali britanik, Xhon Reiz, u emërua në krye të operacionit humanitar të NATO-s që është quajtur Streha aleate në Shqipëri. Tridhjetë milionë dollarë, është kredia e Bankës Botërore, akorduar Qeverisë shqiptare për të përballuar situatën e krijuar nga kriza në Kosovë.

Zonja e parë amerikane, Hilari Klinton, takohet me doktoren, Vjosa Dobruna dhe Afërdita Kelmendin, drejtore e Radio 21 të Prishtinës me të cilat diskuton për konfliktin në Kosovë dhe refugjatët në Shqipëri, Maqedoni etj. Mbreti i muzikës amerikane, Majkëll Xhekson, i këndon tragjedisë kosovare. Ai, së shpejti do të nxjerrë një disk dhe fitimet nga shitja e tij do të destinohen në sherbim të fëmijëve dhe të të dëbuarve nga Kosova.

E mërkurë, 14 prill 1999

Sot, ishte në Kukës një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe që shoqërohej nga deputetja e Parlanentit Shqiptar, zonja Arta Dade. Delegacioni i qeverisë se EBA-së, deklaroi nëpërmjet përfaqësuesit të tij, se nuk do të ndihmojmë vetëm refugjatët, por edhe banorët vendas. Do të përkujdesemi për gjendjen shëndetësore të të gjithëve. Ne kemi edhe specialistë, që mund të bëjnë operacione edhe në zemër. Nga ana tjetër, do të ndërhyjmë edhe në infrastrukturë, përmirësimin me ujë të pijshëm etj. Këto ishin disa nga deklarimet e tyre në takimin që patën me drejtuesit e Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonëshme në Prefekturën e Kukësit.

Është sulmuar një autobus pranë Gjakovës nga ajri. Bëhet e ditur se kanë vdekur rreth 70 persona. Kjo ngjarje, ka ndodhur sot në orën 14. Havier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, pranon se ka goditur gabimisht  NATO-ja. Këtë ngjarje të dhimbshme, Havier Solana, e konsideron  tragjedi.  

Poeti i njohur, Ali Podrimja, në një intervistë e cilëson Bllacën, si njollën më të rëndë në ndërgjegjen njërëzore në këtë fundshekull. Aty ndodhi apokalipsi i kohëve moderne, - shprehet Podrimja. Në këtë intervistë, poeti  Ali Podrimja, i drejtohet popullit shqiptar me këto fjalë shumë kuptimplota: Nëse kjo tragjedi nuk na bashkon, atëherë ne nuk jemi popull. Në gjithë Prefekturën e Kukësit, që nga fillimi, kanë hyrë 283.214 persona të dëbuar, ndërsa janë transportuar poshtë 163.395 veta. Është siguruar kontigjenti i vaksinave për 80 mijë persona. Deri tani, sipas drejtorisë së Shërbimit parësor të Kukësit, Shefqet Kumanova, nuk është konstatuar asnjë person me sëmundje epidemiologjike.

Rreth 4 mijë banorë nga fshatrat Kamenicë, Padesh, Tropojë e Vjetër dhe Zogaj, kanë lënë vatrat e tyre. Kështu konfirmoi mbrëmë, kryetari i Këshillit të rrethit të Tropojës, Xhevdet Hoxha. Popullata e këtyre fshatrave të rrethit të Tropojës, ka lëvizur për shkak të bombardimeve sistematike të artilerisë së ushtrisë jugosllave në drejtim të tyre. Dy predha mortaje, kanë rënë në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit, por dëmtime nuk ka patur.

Mbrëmë në emisionin, Pinokio, të kanalit italian Rai Due, ishin thirrur këshilltari amerikan, Ludvak, ambasadori i Jugosllavisë në Romë Lekic, politikani italian, komunisti Kosuta dhe shumë shqiptarë e serbë që jetojnë në Itali. Një figurë e shkëlqyer ishte një vajzë shqiptare me emrin, Iliriana Mëhilli, e cila në ndërhyrjet e saj me argumente diskretitoi të gjitha pretendimet e ambasadorit jugosllav dhe të komunistit Kosuta që mbronin pa asnjë pikë turpi sulmet e masakrat e ushtrisë serbe dhe kriminelin e Ballkanit, Slobodan Milosheviç.

Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, ka pritur me nderime në Beograd Presidentin bjellorus, Leonid Lukashenko. Lukashenko, është një nga antishqiptarët më të vendosur dhe i pari që i ka ofruar ndihmë agresorit serb për të nënshtruar me gjak Kosovën. Në krye të paramilitarëve serbë, është vënë ish-komandanti serb në Bosnjë, Ratko Mlladiç. Ky kriminel i njohur, po organizon masakra çnjerëzore mbi popullsinë shqiptare të Kosovës duke vrarë, rrënuar shtëpi, përdhunuar e djegur të gjallë shqiptarët etnikë. Bëhet e ditur se Presidenti rus, Boris Jelcin, ka ngarkuar ish-kryeministrin, Viktor Çërnomërdin, si përfaqësues të posaçëm të tij në krizën kosovare.

E enjte, 15 prill 1999

Krijohet qeveria e Kukësit me kryeministër, Vladimir Shehun, i cili si përfaqësues i qeverisë në qendër, bashkë me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit, do t'i paraqisin të gjitha problemet Qeverisë shqiptare dhe grupit të mbikëqyrjes së emergjencës në qendër.    Ngrihen nga Gjermania helikopterët Apaç, që do të mbërrijnë në Shqipëri. Ata transportohen me aeoroplanë F-17. Kështu po kristalizohet çdo ditë e më tepër, mundësia e një sulmi përmes këtyre helikopterëve modernë, që nënkupton futjen e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Uliam Kohen, shprehet për UÇK-në se ajo do t'i mundë pa dyshim serbët.

Sot, Toni Lojd nga Ministria e Jashtme e Britanisë vizitoi Tiranën. Ai vizitoi një kamp në mjediset e klubit sportiv Dinamo dhe u takua me Presidentin, Rexhep Meidani, Kryeministrin, Pandeli Majko dhe Ministrin e Jashtëm, Paskal Milo. Sot, është sulmuar nga artileria e ushtrisë serbe fshati Dobrunë në rrethin e Hasit. Ushtarët tanë, në bashkëpunim më banorët, i janë përgjigjur menjëherë agresionit. Katër predha artilerie, kanë rënë edhe në fshatin Myq-Has, në afërsi të qytetit të Kukësit. Janë granatuar edhe fshatrat në rrethin e Tropojës, madje edhe Tropoja e Vjetër, që është në thellësi të kufirit.

Nga Kosova deri tani, numri i përgjithshëm i të larguarve ka kaluar shifrën 512 mijë. Kryesisht janë të vendosur në Shqipëri, pastaj në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në vende të tjera të Ballkanit, Evropës, Amerikës etj. Aktualisht, në spitalin e Kukësit, gjenden 202 persona të shtruar. Të ardhurit e djeshëm janë kryesisht nga Drenica. Numri i tyre aktualisht është 3.400 persona, kryesisht gra, fëmijë e pleq. Për në thellësi të vendit dje janë transportuar 3.500 veta, ndërsa në Kukës,  janë rreth 150 mijë kosovarë të dëbuar. Prej 10 ditësh, në Kukës ushtron aktivitetin e vet UNICEF-i, i cili merret me trajtimin e fëmijëve në përgjithësi dhe të atyre të traumatizuar, në veçanti. Në samitin e BE-së në Bruksel, u pranua propozimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, që përcakton tërheqjen e të gjithë trupave ushtarake e policore jugosllave nga Kosova, dislokimin e një force ushtarake ndërkombëtare dhe kthimin e të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre.

E premte, 16 prill 1999

Mbi 10 mijë persona të dëbuar nga Kosova, kanë hyrë brenda 24 orëve në pikëkalimin e Morinit dhe rreth 3 mijë kanë hyrë në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë. Siç duket, është intensifikuar aksioni i dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta. Sipas drejtorit të Shëndetit publik, Gani Gashi, në spitalin e Kukësit ka 290 të shtruar, ndërkohë që në maternitet janë lindur deri sot pesëdhjetë foshnje. Sipas këtij burimi informimi, problemi më kryesor sot është mbajtja nën kontroll e ujit të pijshëm dhe dizinfektimi i mjediseve ku jetojnë të dëbuarit. Në punën tonë, - shprehet ai, - këto ditë ka dhënë ndihmesë të çmuar edhe UNICEF-i.

Xhemil Shahu, përfaqësues i UNHCR-së thotë, se janë 3 kampe që brenda një jave dorëzohen. Është fjala për Kampin italian 2 me kapacitet pesë mijë banorë, kampin e UNHCR-së me mbi dhjetë mijë persona dhe kampin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me kapacitet dymbëdhjetë mijë veta. Ne duhet të fiksojmë, që në Kukës nëpër kampe të mos trajtojmë më shumë se 37 mijë veta. Të gjithë të tjerët, duhet që të lëvizin detyrimisht në rrethe të tjera, - theksoi zoti Shahu.

Zëdhënësi i NATO-s, Xhemi Shi, tha në konferencën e përditshme për shtyp: Edhe pse ushtria jugosllave është në ofensivë të ashpër, UÇK-ja po qëndron me heroizëm. Ajo po forcohet çdo ditë dhe po ripërtëritet me gjak të ri. UÇK-ja, përmes aksioneve të saja të vazhdueshme, po i shkakton dëme të mëdha ushtrisë jugosllave. NATO-ja, ka hedhur nga ajri fletushka, përmes të cilave u bëhet thirrje serbëve që po bëjnë krime në Kosovë, të largohen nga ky vend.

Dje pasdite, kanë rënë 5 predha në fshatin Kolsh në afërsi të qytetit të Kukësit. Si pasojë e predhave është plagosur 27-vjeçari, Bilbil Çika, i cili po mjekohet në spitalin e Kukësit. Predhat e hedhura quhen mina kasetë, që në çastin e rënies shpërbëhen në dhjetëra mina plasëse të vogla shumë të rrezikshme. Predha të tilla hidhen për të përfshirë sipërfaqe sa më të mëdha me mina të tilla.

Sot, në Kukës, ka qenë kritiku i madh i artit italian, Vitorio Zgarbi. Ai është takuar me shqiptarë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, si dhe ka zhvilluar një vizitë në kampin që ka ngritur shteti italian në Rexhepaj. Zgarbi, njihet jo vetëm si një artist i famshëm, por edhe si një personalitet që mbron luftën e drejtë të popujve. Në këtë rast, ai është kundër Slobodan Milosheviçit dhe veprimeve të ushtrisë së tij ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Mbi tridhjetë mijë banorë të shpërngulur, e kalojnë natën nën qiellin e hapur që është rreziku më i madh. Edhe në këto kushte, ata nuk duan të largohen për në rrethet e tjera të vendit, me shpresën e kthimit të shpejtë në shtëpitë e tyre. Sidoqoftë, sot lëvizën poshtë vetëm 3.500 veta.

Në rrethin e Hasit, vazhdojnë provokimet e ushtrisë serbe. Rreth pesëdhjetë ushtarë të ushtrisë serbe, u futën rreth njëqind metra në brendësi të territorit tonë, me synim minimin e terrenit. Po kështu, edhe në fshatrat Dobrunë e Vlahën, po të këtij rrethi, ka patur provokime. Ushtria jonë po vëzhgon çdo lëvizje të tyre, e gatshme për të vepruar me vendosmëri në çastin e duhur. Sot në Kukës, ka filluar aktivitetin e saj shoqata Nënë Tereza, me qendër në Prishtinë. Shoqata "Nënë Tereza", në bashkëpunim me shoqatën gjermane Kapanamur ka ngritur edhe një kamp afër qytetit dhe trajton vetë. Dje në pikëkalimin kufitar të Morinit, kanë hyre rreth 4 mijë persona kryesisht nga qyteti i Prizrenit dhe ai i Skënderajt. Nëpër kampe po vështirësohet gjendja e fëmijëve. Ka shenja të shfaqjes së kollës së mirë, andaj vaksinimi i tyre është i domosdoshëm.

E shtunë, 17 prill 1999

Sot, ka një fluks të madh të të ardhurish. Vetëm 24 orët e fundit, në pikë- kalimin e Morinit, kanë hyrë 16 mijë veta që janë nga pjesa veriore e Kosovës, Mitrovica e Vushtria, por edhe nga Gjakova e Deçani. Të ardhurit janë të rraskapitur. Shumica e tyre kanë bërë rrugë të gjatë në këmbë, pa ushqim dhe kanë kaluar netë të tëra jashtë në mëshirën e fatit dhe nën kërcënimin e armëve të ushtarëve, policëve dhe paramilitarëve serbë.

Sot, morëm shumë intervista në të cilat të dëbuarit dëshmojnë për dhunën e pashembullt që po ushtron diktatura e kriminale e Slobodan Milosheviçit. Në rrethin e Hasit, janë njëzet e tre mijë banorë të shpërngulur. Shumë kosovarë të dëbuar, që në fillim të krizës u vendosën në rrethin e Hasit, janë transportuar për në rrethe të tjera në brendësi të vendit. Në qytetin e Krumës janë 9.417 persona, në komunën Golaj 7.990,  në komunën Fajza 1.540 dhe komunën Gjinaj 966 veta. Ndërsa në xhaminë e qytetit të Krumës dhe në Pallatin e Kulturës janë edhe dy mijë të tjerë. Për të furnizuar banorët e shpërngulur në këtë rreth, është caktuar shoqata e huaj joqeveritare Koncern.

Vetëm sot, në spitalin e Kukësit dhe në qendrat të tjera të shërbimit mjekësor që janë ngritur nga shoqatat joqeveritare dhe organizmat e tjerë humanitarë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore më shumë se 500 veta.

Uesli Klark, kryekomandant i NATO-s, sot ka qënë në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin shqiptar, Pandeli Majko dhe Ministrin e Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Në këto takime, u diskutua për gjendjen aktuale të konfliktit në Kosovë dhe të banorëve kosovarë të dëbuar që janë në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, i tha gjeneralit Klark, se ...ju, tashmë jeni bërë hero i të gjitha nënave dhe motrave kosovare.

Zëdhënësi i NATO-s, Xhemi Shi, në konferencën e djeshme për gazetarë tha:  UÇK-ja është një forcë, që sa vjen e bëhet më efektive, e kompletuar me njerëz, që duan të luftojnë për Atdheun e tyre. Për goditjet e NATO-s ai tha se kanë patur efektivitet.

Po rëndohet situata në rrethin e Bajram Currit. Aktualisht, në qytet ka 2.500 kosovarë, por atyre u janë shtuar edhe mbi dy mijë banorë të tjerë që janë evakuuar nga fshatrat kufitare për arsye se çdo ditë goditen nga artileria serbe. Nga këto bombardime, aktualisht në Tropojë, ka dy të vdekur dhe dymbëdhjetë të plagosur.

Qeveria shqiptare parashikon, se për mbajtjen e rreth 400 mijë refugjatëve për një vit, lypsen 600 milionë dollarë amerikanë. Bujar Bukoshi, sot në Tiranë zhvilloi takime me liderin e opozitës, Sali Berisha dhe me Kryeministrin, Pandeli Majko. Pritet që Bujar Bukoshi të vijë në Kukës për t'u takuar me banorë kosovarë të vendosur në këtë qytet.

Në duart e banorëve të qytetit të Kukësit, të cilët tashmë janë afro 200 mijë, shihen edhe traktet që avionët e NATO-s kanë hedhur gjatë natës. Në këto trakte, NATO-ja, u drejtohen forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe. Mbi trembëdhjetë mijë ushtarë jugosllavë, kanë lëshuar radhët e armatës agresore, pasi refuzojnë të plotësojnë urdhrat ilegale të presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç, në luftën e tij kundër civilëve. Më poshtë, trakti u drejtohet ushtarëve serbë me këto fjalë: Rri në Kosovë dhe lë eshtrat e tua, ose lësho njësinë tënde dhe mjetet luftarake dhe ik nga Kosova sa më parë. Nëse vendos të rrish, NATO-ja, pa ndërprerje, do të sulmojë nga të gjitha anët. Zgjidh vetë rrugën. NATO. Traktet janë të shkruara në gjuhën serbokroate.

Greqia, ka paraqitur një plan paqeje. Një nga pikat e këtij plani që të bën përshtypje, është mosndryshimi i kufijve në rajon. Nëpërmjet këtij plani, shteti grek synon të ndihmojë dhunën e kriminelit, Slobodan Milosheviç, si aleat i vjetër.

E diel, 18 prill 1999

Sot, në Kukës shtrohet nevoja e ngritjes së kampeve të  mëdha, ku  mund të strehohen sa më shumë njërëz. Nga mbi 120 mijë të dëbuarit që janë në Kukës rreth, 30 për qind e tyre janë nën qiell të hapur dhe nuk kanë as kushtin më të vogël për jetesë.

UNHCR-ja, vetëm dje dhe sot, ka sjellë në qytetin e Kukësit tridhjetë mijë batanije, pesë mijë dyshekë dhe sasi të mëdha ushqimore. Organizata joqeveritare HCC, po ndihmon dukshëm të dëbuarit në qytet dhe në momentin e daljes në pikën e kufirit në Morin. Kjo shoqatë, jep ndihmën kryesisht në paketa ushqimore dhe lëngje të ndryshme.

Sot i mora një intervistë një vajze të re nga Kosova. Luftëtarja, e cila nuk e tregoi emrin, e rrjeshtuar në UÇK që në ditët e para, shprehet tepër optimiste. Ajo u shpreh, se fitorja e luftës është e pashmangshme për arsye se populli kosovar bën luftë të drejtë, lufton për lirinë dhe çlirimin nga okupatori serb. Kanë vdekur vetëm ditën e sotme tri foshnje, që ishin tri ditë pa ushqyer. Mungesa e ushqimeve në Kukës është tepër serioze. Pa ndihmën ndërkombëtare, Qeveria shqiptare dhe pushteti lokal në Kukës nuk kanë çfarë të bëjnë.

Bëhet e ditur, se 38 për qind e ardhurve janë nën 14 vjeç. Burime informacioni nga pikëkalimi në Morin njoftojnë, se nga shpërthimi i një mine, 20 metra pa kaluar kufirin, kanë vdekur dy gra dhe tre fëmijë, që ishin duke ardhur me një traktor në drejtim të Kukësit. Plani i Rambujesë për autonominë e Kosovës, ka vdekur", - deklaroi analisti i njohur amerikan, Zbigniew Brezezinski, me rastin e 50-vjetorit të NATO-s.

UÇK-ja kërkon heqjen e embargos së armëve, të vendosur për ushtarët e kësaj ushtrie që po mbron të drejtat e veta. Një prej komandantëve të saj tha, se po të pajisej ushtria jonë me armë, atëherë NATO-ja nuk do të ishte e domosdoshme të futej në Kosovë me forca tokësore.

E hënë, 19 prill 1999

Sot në Kukës, ishte një delegacion i Komunitetit Evropian, i shoqëruar nga nënkryetari i Parlamentit shqiptar, Namik Dokle. Në takimin, që ata patën me Shtabin e mbikëqyrjes në Prefekturë, u njohën me gjendjen aktuale dhe përpjekjet që po bëhen për ta kontrolluar krizën. Në Prefekturën e Kukësit, - tha kryetari i shtabit, Qemal Elezi, - kanë hyrë deri ditën e sotme 326.500 banorë, që janë shpërngulur me dhunë nga Kosova. Kemi lëvizur për në rrethet e tjera 190.000, ndërsa aktualisht në Prefekturën e Kukësit, ka 142 mijë banorë, 46 mijë në qytetet Kukës e Krumë, 47.500 në familjet e fshatrave të rretheve Kukës, Has dhe Tropojë dhe 20 mijë në kampe, ndërsa 36 mijë të tjerë janë nën qiell të hapur. Kryetari i Shtabit të mbikëqyrjes së situatës, Qemal Elezi, theksoi, se duhen rreth 130 ton ushqime në ditë për të përballuar nevojat e banorëve që jetojnë këtu. Ne nuk po përqëndrojmë vëmendjen vetëm të banorët e ardhur, por edhe te banorët kuksianë që kanë mbi 65 mijë kosovarë në shtëpitë e tyre. Edhe këto familje bujare është e domosdoshme të ndihmohen.

Deri sot punojnë në Kukës tridhjetë e dy shoqata të huaja joqeveritare dhe koordinatore e tyre është UNHCR-ja. Me punën e tyre të këtyre ditëve, është bërë i mundur tejkalimi i shumë problemeve që kanë banorët e shpërngulur me dhunë. Përgjegjësi i grupit të furnizimit me ndihma ushqimore, Shefqet Bruka, i propozon UNHCR-së dhe Kryqit të Kuq, që me kontigjentin që kemi të fillohet programi njëmujor i furnizimit të të dëbuarve me miell, pasi po punohet me program njëjavor. Kështu, zoti Bruka, Kryetar i Këshillit të Rrethit të Kukësit, mendon se organizohet më mirë puna: Është mirë të fillojmë nga komunat më të varfëra.

Në segmentin rrugor Kukës-Fushë Arrëz-Pukë, dje rreth orës 12,30 minuta, një makinë "Nisan" me drejtues një qytetar nga Bajram Curri, ka rënë në një humnerë rreth 400 metra poshtë. Vdiqën katër persona, një çift gazetarësh amerikanë, një gazetare franceze dhe shoferi. Rrethanat e këtij aksidenti, nuk dihen akoma. Që nga mëngjesi i ditës së djeshme, është bllokuar pikëkalimi në Vërmicë nga autoritetet ushtarake jugosllave. Nga disa burime informimi, thuhet se ka boshllëk në karvanin që është duke ardhur në drejtim të pikëkalimit në Morin.

Jugosllavia, dje ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me vendin tonë, me preteks se Shqipëria po ndihmon sulmet e NATO-s. Ministri i Jashtëm Shqiptar, Paskal Milo, në një intervistë në Radio Zëri i Amerikës, tha se ky akt i jugosllavëve është i pritshëm, pasi kriminelit nuk i ka mbetur gjë tjetër. Moti është i keq, por NATO-ja ka vazhduar bombardimet edhe nga deti, ku ka të istaluara anijet luftarake. Njëmbëdhjetë shpërthime lëkundën mbrëmë Prishtinën, ngaqë ishin goditur disa objektiva ushtarake.

Presidenti rus, Boris Jelcin, zhvillon në Kremlin një mbledhje për Kosovën, në të cilën marrin pjesë edhe përfaqësuesi për Kosovën, Viktor Çërnomerdin, Kryeministri, Jevgeni Primakov, Ministri i Jashtëm, Igor Ivanov dhe ai i Mbrojtjes Igor Sergeiev. Qëllimi i këtij takimi, ishte diskutimi i një plani për të zgjidhur konfliktin në Kosovë. Po sot, Presidenti rus Boris Jelcin, zhvillon një bisedë telefonike me Presidentin Amerikan, Bill Klinton. Gjatë kësaj bisede, Presidenti rus Boris Jelcin, përsërit idenë e tij se është dakord për një forcë ushtarake në Kosovë, por vetëm me lejen e presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç. Në një nga çadrat e kampit të Bashkisë, në periferi të qytetit të Kukësit, ka plasur një bombël gazi dhe ka plagosur tre veta.

E martë, 20 prill 1999

Agjencia Kosova press, bën të ditur se forcat policore serbe gjatë sulmeve në Istog e Pejë kanë djegur fshatrat Novoselë, Radoc, Studenicë, Vrellë etj. Luftëtarët e lirisë po luftojnë me heroizëm dhe po i shkaktojnë humbje të mëdha armikut, pa pësuar shumë dëme. Kjo po ia ngre gjithnjë e më lart moralin ushtrisë për fitore përfundimtare. Llogaritet të jenë në Shqipëri mbi 360 mijë të dëbuar, në Mal të Zi janë 75 mijë, në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë 130 mijë, në Bosnjë 33 mijë, në Turqi mbi dhjetë mijë kosovarë, në Kroaci rreth gjashtë mijë, në Bullgari rreth tre mijë veta etj.

Në një apel të gazetës Koha ditore, drejtuar intelektualëve në gjithë botën, ndër të tjera, thuhet: ... Ne kosovarëve, na zhveshën nga identiteti ynë, nga shtëpitë tona, nga emrat, nga kujtimet dhe arkivat tonë, që sistematikisht dhe me forcë u shkatërruan nga Milosheviçi. Ajo më e pabesueshmja, u bë e vërtetë: gjenocidi u krye në Evropë. Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë në ekranin e TVSH-së, bën thirrje për bashkim të gjithë faktorit shqiptar, ndërkohë që Bujar Bukoshi, flet ende si kryetar qeverie që nuk ekziston që nga 2 prilli 1999.

Lideri politik i LDK-së, Ibrahim Rugova, në vazhdën e kontakteve të dyshimta, takohet me patriarkun ortodoks rus, Aleksi i Dytë. Nuk dihet ende, se çfarë ka biseduar me të, por çdo ditë e më tepër, nëpërmjet këtij seriali takimesh, duket, se Rugova, po i shkakton dëme të mëdha luftës për çlirim e pavarësi. Shuma e dollarëve, që derdhen nga taksapaguesit euroamerikanë për luftën në Kosovë, arrin shifrën 46.600 dollarë në minutë. Në javën e katërt të sulmeve të NATO-s, shpenzimet kanë arritur në 2 miliardë dollarë.

Lideri kriminel serb, Slobodan Milosheviç, nuk jep asnjë intervistë. Ai nuk del në publik dhe natën fle në bunkere të sigurta, - deklaroi Xhemi Shi. Kjo nuk është karakteristikë e një udhëheqësi të fortë,- përfundon ai. Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, nuk pranon që policia e tij të futet nën komandën e ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu se ai nuk mbështet politikën agresore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, do të vizitojë Moskën më 29 prill 1999. Me autoritetet ruse, Kofi Anan, do të bisedojë për rrugët që mund të gjenden në zgjidhjen e krizës së Kosovës. Për shkak të refugjatëve të shumtë, Maqedonia ndodhet në prag të katastrofës humanitare. Shoqatat e ndryshme humanitare, u bëjnë thirrje vendeve të ndryshme të botës për ndihmë, me qëllim që të mos ndodhë tragjedia.

Bullgaria, miratoi kërkesën e NATO-s për të lejuar avionët e saj të fluturojnë në hapësirën bullgare. Është vënë re, se abuzohet mjetet e transportit urban për në Tiranë. Nga shoferët e kësaj linje çmimi i biletës për kosovarët, ka arritur deri në 50 marka, ndërsa kështu nuk ndodh me banorët e rrethit të Kukësit. Llogaritet që 850 mijë persona janë në rrezik brenda Kosovës. Ata janë të shpërgulur në zona më të sigurta, kryesisht male dhe lugina, pa përkujdesjen e askujt dhe nën kërcënimin e masakrës që mund të ushtrojnë mbi ta paramilitarët dhe forcat ushtarake e policore serbe.

Sot, në pikëkalimin në Morin, kanë ardhur vetëm 20 persona.

E mërkurë, 21 prill 1999

Mbrëmë nga aeroplanët luftarakë të NATO-s, u sulmua ura e fundit mbi Danub. Kështu është ndërprerë çdo qarkullim nga të dyja anët. Në rrethin e Hasit dhe të Tropojës, vazhdon provokimi i forcave ushtarake jugosllave përgjatë kufirit tonë. Mbrëmë, në afërsi të fshatit Zogaj në brendësi të kufirit, është hapur zjarr nga forcat ushtarake serbe në drejtimin tonë. Janë zhvillur rreth tetë orë luftime mes forcave tona ushtarake dhe të armikut, deri sa janë tërhequr ushtarët serbë, që ishin futur rreth 800 metra në brendësi të kufirit tonë.

Si rrjedhojë e minimit të brezit të kufirit, deri tani ka pesëmbëdhjetë të dëmtuar, kryesisht banorë të fshatrave në afërsi të kufirit. I gjithë brezi kufitar, po minohet nga ushtria serbe. Llogariten qindra hektarë të mbjellë me mina, që në të ardhmen do të jenë problem për shtetin shqiptar. Në pikëkalimin e kufirit në Morin, dje kaluan 100 persona, ndërsa nga ora 23 e një nate më parë nuk ka pasur asnjë kalim. Burime të ndryshme thonë, se ushtria jugosllave dhe forcat policore e paramilitare kanë drejtuar për në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë karvanin e gjatë të banorëve të shpërngulur kryesisht nga Kosova Veriore.

Sipas dëshmive të të ardhurve në Kukës, mbi një mijë personave të  moshës së re në qytetin e Prizrenit, u merret gjak për ushtarët e plagosur serbë në luftë. Në emisionin Dritare të TVSH-së, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare, u bën një analizë ditëve të fundit. Ndër të tjera, Kadare u shpreh se një popull që nuk di të dënojë tradhtinë, nuk mund të meritojë të jetë i lirë. Ndërsa, për Ibrahim Rugovën dhe aktivitetin e tij të dyshimtë, Ismail Kadare tha se ...askënd nuk mund ta detyrosh të bëhet hero...Rugova nuk mund të jetë më lider...

Nën presionin e shteteve pjesëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë, po ngrihen kampe për strehimin e refugjatëve. Një i tillë po ndërtohet në Çegran Tetovës, me një kapacitet 20 mijë njerëz. Vendin tonë, e viziton një delegacion i grupit të kontaktit i Konferencës islamike, i kryesuar nga ministri i Jashtëm iranian Kharaz. Filiali i telekomit në Kukës, ka vendosur 10 kartofonë për të bërë të mundur komunikimin e të dëbuarve me dhunë me njerëzit e tyre që punojnë në Evropë dhe në vende të tjera. Është një ndihmë e madhe për të dëbuarit me dhunë, - shprehet inxhinieri Lavdim Deda. Në të ardhmen e afërt, ne do të montojmë edhe kartofonë të tjerë", - tha ai.

Dje, u bombardua ndërtesa njëzetkatëshe e partisë së presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç, në Beograd. Po mbrëmë, u goditën nga avionët luftarakë të NATO-s edhe dy stacione radiofonike. Deri në orën 17,  sot kanë kaluar kufirin 171 persona, ndërsa, po sot nga Kukësi janë transportuar për në brendi të vendit gjashtë mijë persona. Rreth mesditës, ushtarët serbë ndërmorën një sulm me armë në drejtim të pikës kufitare në fshatin Zogaj të rrethit të Tropojës dhe pas kundërpërgjigjes së ushtarëve tonë, rreth orës 15, u detyruan të kthehen prapa.

Presidenti francez, Zhak Shirak, u shpreh se propozimi i Francës për një protektorat ndërkombëtar në Kosovë, është mirëpritur nga shtetet aleate. Ndërkohë, ministri grek i mbrojtjes, Akis Ksehaksopullos, ka deklaruar se në rast se NATO-ja do të ndërhyjë në Kosovë me forca tokësore, Greqia nuk do të marrë pjesë me trupat e saj. Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, shkon në Amerikë për të marrë pjesë në festimet madhështore që do të organizohen me rastin e 50-vjetorit të NATO-s.

E enjte, 22 prill 1999

Gjendje e rëndë e më shumë se 30 mijë pesonave që kalojnë natën në qiell të hapur. Netët janë të ftohta dhe bie vazhdimisht shi. Jemi në pragun e një katastrofe humanitare nëse nuk merren masat urgjente për t'i lëvizur banorët në brendi të vendit, ose për t’i strehuar në kampe e qendra të tjera kolektive.  Mbi 60 mijë persona, ushqehen spontanisht dhe janë jashtë çdo kontrolli mjekësor. Më problem janë fëmijët dhe pleqtë, të cilët nuk mund t'u rezistojnë dot kushteve tejet të vështira.

Në Kukës, ka mbi treqind fëmijë të traumatizuar dhe që kanë të domosdoshme terapinë mjekësore individuale. Nga shoqatat humanitare të specializuara, është vendosur të bëhet një punë intensive për të bërë të mundur kthimin e tyre në gjendje normale. Meqë këto ditë, fluksi i ardhjes së të dëbuarve nga Kosova është i vogël, Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit, po synon të transportojë sa më shumë persona në brendësi të vendit, me qëllim që të pakësohet numri i atyre që ngelin në Kukës. Kështu, - thekson prefekti, Qemal Elezi, - ne kemi mundësi për një frymëmarrje dhe organizim më cilësor të të gjithë problemeve.

Deri sot janë evakuar për në rrethet të tjera të vendit 231.900 persona me 10.700 mjete transporti, ndërkohë që në Kukës janë 112 mijë persona. Kryesisht janë përqendruar në qytet, ku janë të vendosur rreth 50 mijë veta, në fshtra 26 mijë persona dhe në kampe është pjesa tjetër. Megjithatë, shumë mjete që vijnë nga poshtë për transportin e banorëve të dëbuar nga Kosova, po kthehen bosh për arsye se kosovarët sikur janë ambientuar këtu dhe në një farë mënyre kanë gjetur stabilitet. Nga ana tjetër, ata janë të mbushur me besim se shumë shpejt do të kthehen në vatrat e tyre dhe Kukësi u duket më afër. Më kategorikë për të mos lënë Kukësin, janë banorët e shpërngulur nga krahina e Opojës.

Ditën e sotme, u futën në pikëkalimin e Morinit, 800 të dëbuar kryesisht nga Mitrovica. Të ardhurit kanë udhëtuar me ditë të tëra në këmbë dhe janë të rraskapitur. Sipas dëshmive të atyre që erdhën sot, mijëra banorë nga Mitrovica dhe krejt Kosova Veriore janë në rrugë në drejtim të Kukësit. Sot në mëngjes, ka patur breshëri armësh të ushtarëve serbë në drejtim të fshatit Dobrunë në rrethin e Hasit. Për shkak të këtij provokimi, është plagosur banori i këtij fshati, Shefqet Mula, i cili për Radio-Kukësin dha një interivistë, përmes së cilës sqaroi rrethanat e plagosjes dhe gjendjen aktuale të banorëve të fshatit të tij dhe të fshatrave të tjera fqinje në këtë rreth.

I dërguari rus për konfliktin në Kosovë, Viktor Çërnomërdin, mbërriti sot në Beograd, në një përpjekje për të zgjidhur problemin kosovar. Përpara gazetarëve ai deklaroi, se Rusia ruan integritetin e Jugosllavisë, ndërsa refugjatët duhet të kthehen. Qeveria greke fillon operacionin Fshesa. Para disa ditësh, ministri i Jashtëm i këtij vendi, u shpreh për mbajtjen e kosovarëve larg Jugut të Shqipërisë. Pjesën jugore të Shqipërisë, ai e quan Vorio Epir. Akte të tilla, synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe dëshmojnë qartë lidhjet e vjetra antishqiptare të Greqisë me Serbinë.

Sot në mëngjes, nga bombardimet e avionëve të NATO-s, është shkatërruar plotësisht rezidenca e presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç. Njoftohet se në atë çast familja e kriminelit Milosheviç, nuk ndodhej në pallat. Presidenti amerikan, Bill Klinton dhe kryeministri britanik Toni Bler, u takuan për të diskutuar mënyrat e zgjidhjes së krizës kosovare. Presidenti, Rexhep Meidani, i jep një intervistë gazetës së përditshme parisiene Le Figaro, ku, ndër të tjera theksoi: Milosheviçi kërkon të ndryshojë natyrën e konfliktit, por ne jemi të matur e nuk duam të futemi në lojën e tij... Por, në rast se ata do të tentojnë të futen në një numër të madh në territorin shqiptar, ne do të reagojmë ashpër.

Që prej dy ditësh, një lagje e qytetit të Krumës është pa energji elektrike. Shkak i kësaj anomalie është djegia e një transformatori, ndërkohë që filiali elektrik i këtij rrethi nuk ka asnjë rezervë. Në një intervistë që Sllobodan Milosheviç, i jep kanalit televiziv italian Tg5, kritikon ashpër bombardimet e NATO-s. Ai,.mes të tjerash, flet edhe për Konferencën e Rambujesë, duke injoruar atë. Gjithashtu, ai paraqitet si një komunist i pandreqshëm dhe një njeri i gatuar gjenetikisht kundër shqiptarëve.

E premte, 23 prill 1999

Admirali, Tomas Uilson, tha se të katër linjat kryesore të komunikimit me Kosovën, janë goditur nga NATO-ja. Ai u shpreh më tej se, ushtria serbe po ndeshet me një UÇK të rilindur. Gjithashtu, admirali bëri të ditur, se për 30 ditë është shkatërruar 30 për qind e arsenalit të raketave tokë-ajër të ushtrisë së Jugosllavisë. Deri tani, janë shkatërruar 35 avionë luftarakë të kësaj ushtrie, duke ulur kështu 50 për qind aftësinë ushtarake të Beogradit për të sulmuar me avionë Kosovën. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të jashtëm të Parlamentit shqiptar, zoti Sabri Godo, shprehet se aprovimi për dërgimin e një force ushtarake ruse në Kosovë duhet të vihet patjetër nën drejtimin e Aleancës së Atlantikut.

Fillojnë manovrat e presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç, gjoja për zgjidhjen e krizës pas takimit me Viktor Çërnomerdinin. Milosheviçi, i ka deklaruar të ngarkuarit rus Viktor Çërnomërdin, se është gati për të pranuar një prani ndërkombëtare, por nën drejtimin e OKB-së. Presidenti amerikan, Bill Klinton dhe kryeministri britanik Toni Bler, nuk i besojnë aspak demagogjisë së agresorit, por theksojnë intensifikimin e mëtejshëm të sulmit kundër objektivave strategjikë të Jugosllavisë. Ata u shprehën, se duhet të tërhiqen të gjitha forcat nga Kosova, të kthehen të gjithë të dëbuarit me dhunë nga vatrat e tyre dhe të dislokohet një forcë ndërkombëtare e drejtuar nga NATO-ja. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, shprehet se Milosheviç, duhet të japë prova, që të vërtetohet një farë përparimi në zgjidhjen e konfliktit.

Në emisionin e gazetarit të njohur italian, Bruno Vespa, Porta e porta në Rai Uno, këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Ana Oksa, ka mbrojtur në mënyrë të shkëlqyer interesat tona kombëtare. Ajo ka replikuar ashpër me politikanin komunist, Fausto Bertinoti. Në Kukës, ndodhet shefi i Shtabit të Ushtrisë shqiptare, Aleks Andoni. Ai ka marrë kontakt me komandën e Divizionit të Kukësit dhe ka parë nga afër punën që po bën kjo njësi e Ushtrisë shqiptare, për të përballuar çdo të papritur. Shqipëria, është në favor të një protektorati ndërkombëtar. Këtë ide presidenti, Rexhep Meidani, ia ka konfirmuar Sekretares së shtetit amerikan, Medlin Olbrajt.

Sot, pati vetëm tridhjetë e katër të ardhur nga Kosova deri në orën 12, ndërsa nga Perëndimi shumë të rinjë shqiptarë vijnë për t'u rreshtuar me vëllezërit e tyre në front. Netët e fundit kanë qenë të ftohta dhe me shi, ndërsa nën qiell të hapur kalojnë natën më shumë se dyzet mijë veta. Dje janë transportuar në rrethe të tjera 4 mijë persona, ndërsa në qytetin e Kukësit janë ende mbi 115 mijë veta. Sot ka filluar fushata e vaksinimit. Shefqet Kumanova, drejtor i Shërbimit Shëndetësor Parësor tha, se janë përcaktuar katër pikë të grumbullimit masiv, ku do të vaksinohen fëmijët deri në dymbëdhjetë muaj. Vaksinimi kryhet kundër poliomelitit dhe fruthit. Fushata do të zgjasë tri ditë dhe marrin pjesë edhe mjekë e infermierë nga Tirana. Vaksinat dhe materialet e nevojshme për tridhjetë mijë fëmijë i ka siguruar UNICEF-i. Drejtoria e Arsimit e Rrethit të Kukësit, lajmëron të gjithë mësuesit kosovarë, që nuk janë të përfshirë në ligjin për t'u mobilizuar në UÇK, të përfshihen në shkollat verore që do të ngrihen për nxënësit nga Kosova.  

Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ndërtojnë një kamp me kapacitet mbi dhjetë mijë veta në fshatin Gostil, tre kilometra larg qytetit të Kukësit. Gjithashtu, do të ngrihet edhe një spital lëvizës me dyqind shtretër po nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjysmëhëna e Kuqe e Emirateve të Bashkuara Arabe, u ka shpërndarë të gjithë banorëve të dëbuar nga Kosova nga njëqind dollarë nëpër kampe e rrugë.

E shtunë, 24 prill 1999

Sipas Daniel Endersit, përfaqësues i UNHCR-së, që është kordinatore për shoqatat e tjera humanitare, që merren me mbikëqyrjen e situatës në Kukës, 120 ton ushqime duhen të paktën në ditë për të përballuar nevojat e banorëve kosovarë në Kukës, pa llogaritur banorët vendas kryesisht miell, sheqer, vaj, fasule, etj. Ai shprehet se kam takuar drejtorin e Programit Botëror të Ushqimit dhe presim shumë shpejt ardhjen e kontigjenteve të kërkuara të ushqimit, prandaj duhet të përgatiten depot.

Gani Gashi, drejtor i Shëndetit Publik të Rrethit të Kukësit thotë, se 14 mijë vaksina janë gati dhe nesër fillojmë me qytetin e Kukësit. Më tej ai njofton, se nga shoqatat është dyshuar për një rast kolere që më vonë e kundërshtuan vetë ato. Fëmija është i shtruar në spital në gjendje të përmirësuar. Nga fronti i luftës marrim vesh, se është vrarë komandanti trim i Brigadës 138, që vepron në Koshare, Agim Ramadani, bashkë me komandantin tjetër, Sali Çeku. Sipas burimeve, ata kanë rënë heroikisht më 11 prill, por, për të ruajtur moralin e luftës, vrasja e tyre nuk është publikuar. Trimat e Koshares për herë të parë, kanë arritur rrëzimin e kufirit artificial që ekziston padrejtësisht mes shqiptarëve.

Problem i ditës është sigurimi i ujit të pijshëm në qendrat kolektive, si dhe rregulli i shpërndjarjes së ndihmave humanitare. Radio-Kukësi, sot këtë problem e trajtoi me një kronikë të gjatë. Përfaqësuesi i Qeverisë shqiptare në Kukës, Vladimir Shehu, thotë se banorët e shpërngulur nuk dëshirojnë të ikin poshtë, ndërsa ne nuk mund të përdorim forcën mbi ta. Prandaj, kërkojmë ngritjen e kampeve të reja.

Në një intervistë dhënë mediave lokale, gjeneral Kudusi Lame, komandant i Divizionit të Kukësit, shprehet: Nuk besoj se në Shqipëri ka burra, që me armë në krah të lejojnë trupat serbe për t'u futur në tokën shqiptare. Në tokën shqiptare, është e vërtetë që kanë rënë predha të ushtrisë serbe, por në asnjë rast nuk janë futur me trupa. Ne kemi dhënë urdhër, që për çdo shkelje të territorit tonë nga trupat serbe, të hapet zjarr ndaj tyre deri në zbrapsjen e agresorit. Por nuk përjashtohet mundësia që në Shqipëri të jenë futur civilë serbë në mesin e refugjatëve.

Rusia, kundërshton hapur embargon ndaj Jugosllavisë. Sipas njoftimeve, zëdhënësi i Qeverisë ruse, deklaroi haptas se furnizimet nuk do të ndërpriten. Dje demostratë e shqiptarëve para Shtëpisë së Bardhë në SHBA, ku kërkohet marrje e hapave të vendosur dhe armatosje e UÇK-së. Në këtë demostratë morën pjesë mijëra shqiptarë.

Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, do të ndërtojë në Kukës aeroportin në afërsi të fshatit Shtiqën, pesë kilometra larg qytetit të Kukësit. Ky aeroport, do të shërbejë fillimisht për zbritjen e helikopterëve që sjellin ndihma ushqimore dhe më vonë do të jetë aeroport civil. Sipas burimeve nga vetë përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kukës, fondi për ndërtimin e këtij aeroporti do të jetë 38 milionë dollarë. Deri sot, nëpër kampe janë strehuar rreth nëntëmbëdhjetë mijë veta, ndërsa në familjet kuksiane janë mbi gjashtëdhjetë e një mijë të dëbuar. E kalojnë natën nën qiell të hapur mbi dyzet mijë persona të vendosur në traktorë a plasmasë. Koha e keqe e ka vështirësuar seriozisht gjendjen e tyre.

Gjatë 24 orëve të fundit, fluksi i të ardhurve nga Kosova është në grupe të vogla. Dje në pikëkalimin në Morin, u futën 130 persona të dëbuar kryesisht nga Mitrovica dhe Prizreni. Së shpejti, do të dalë në qarkullim përsëri gazeta Koha ditore. Gazeta e drejtuar nga Veton Surroi, do të botohet në Tetovë. Ka tri ditë, që në Kukës mbretëron një kohë e keqe e ftohtë dhe me shi. Gjendja aktuale e të dëbuarve është e rëndë, pasi shumë prej tyre e kalojnë natën jashtë. Në Kukës, ka aktualisht 81 fëmijë me probleme në organet e dëgjimit, shkaktuar nga krismat e gjëmimet e forta në Kosovë.

Sipas agjencisë Kosova press, po zhvillohen luftime të ashpra në Kosovë. UÇK-ja, po shton radhët e veta me shpejtësi. Rrugë tjetër nuk ka. Vetëm dy muajt e fundit, kanë ardhur nga Perëndimi dhe kanë veshur uniformën rreth dhjetë mijë veta, mes të cilëve edhe shumë vajza. Nuk mungojnë edhe vullnetarë me kombësi të ndryshme. Kështu është edhe italiani me emrin Francisko, i cili kishte ardhur për të shkuar në front kundër ushtrisë agresore serbe. Ai tha, se erdha këtu pasi më shtyu motivi i lirisë dhe aktet çnjerëzore të gjenocidit, që ushtron rregjimi diktatorial e policor serb kundër kosovarëve. Më tej Françisko tha, se do të jem i lumtur po të më pranonin në UÇK. Ai ishte 38-vjeçar.

Problem kyç i Shtabit të mbikëqyrjes së krizës në Prefekturën e Kukësit, është evakuuimi i kosovarëve të dëbuar për në thellësi të vendit. Dje u larguan në rrethe të tjera katër mijë persona, ndërsa po bëhet përpjekje për të rritur kapacitetin e kampeve që parashikon strehimin deri në tridhjetë mijë persona. Sot, u futën në pikëkalimin e Morinit, vetëm 30 veta dhe sipas dëshmive të tyre, të rinjtë grumbullohen dhe përdoren ose si  mburoja të gjalla, ose për të hapur llogore për ushtrinë agresore. Në artikullin Kolona e pestë e antikosovarizmit, botuar në gazetën RD, përsëri Mero Baze, hidhet kundër Kiço Blushit, Hashim Thaçit dhe Xhavit Halitit.

E diel, 25 prill 1999

Sot, Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit në mbledhjen e tij të përditëshme, vërejti se nuk po lëvizin banorët e shpërngulur poshtë në shifrat e parashikuara. Ai porosit forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të mos lejojnë qarkullimin e traktorëve rrugëve të qytetit, pasi po bëhen pengesë serioze, sidomos në sheshin e qytetit, para pallatit të kulturës "Hasan Prishtina". I dërguari i posaçëm i kryeministrit Pandeli Majko në Kukës, Vladimir Shehu, kërkon sot rritje të nivelit të organizimit të punës për të përballuar situatën. Unë kërkoj furnizim të rregullt në kampe, pozicion ligjor të gjithsecilit. Gjithashtu, kërkoj rritje të rolit të policisë. Raste si grindja e dy qytetarëve te stacioni i fugonëve të rrethit të Hasit, ose akti i shoferit nga Gjirokastra, që zbriti në tokë të dëbuarit nga trojet e tyre në Kosovë në Qafë Shtanë, 15 km nga qyteti i Kukësit, nuk duhet të ndodhin më. Ne jemi këtu t'ju ndihmojmë,- u drejtohet ai autoriteteve të pushtetit lokal dhe institucioneve, -  por kjo është rezultative kur të gjithë ju jeni në pozitën tuaj të punës. Zoti Vladimir Shehu, kërkoi që aparaturat e ardhura në spital për sallën e operacionit duhet të vihen sa më shpejt në punë.

Sot, një nga shefat e informacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Syla, dha një konferencë shtypi në pallatin e kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit. Në këtë konferencë u paraqit edhe një nga komandantët e lartë të UÇK-së, me pseudonimin Leopardi 2. Ishin të shumtë gazetarët që morën pjesë në këtë konferencë të cilët u interesuan për përparimin e luftimeve, bashkëpunimin e UÇK-së me NATO-n, punën që po bëhet brenda në Kosovë në mbrojtje të popullsisë civile etj.

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, në një intervistë, përsëri mban qëndrim të rreptë ndaj Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit. Ai gjatë kësaj interviste, shprehet i sigurt se shqiptarët do të kthehen në trojet e tyre, ndryshe Kosova nuk ka kuptim pa banorët e saj.

Koha me shi që po mbretëron sot, vështirëson jetën e të dëbuarve me dhunë nga trojet e tyre etnike, veçanërisht të atyre që janë jashtë, pa asnjë mbrojtje. Nëpër kampe, nuk gjen asnjë vend ku mund të strehohet ndokush. Është e veçantë kjo pranverë, jo si e viteve të tjera. Pothuajse gjatë gjithë kohës, ka rënë shi dhe temperaturat kanë qenë të ulëta. Nga njëra anë, kjo gjendje atmosferike ka ndihmuar mjaft në mospërhapjen e epidemive, por, nga ana tjetër, ka vështirësuar seriozisht jetesën jashtë, veçmas të fëmijëve dhe pleqve.

Në qytetin e Kukësit, janë 66 mijë persona pa u sistemuar në qendra pritjeje a banesa të kuksianëve. Për këtë arsye, policë specialë që kanë ardhur nga Tirana, po detyrojnë të dëbuarit të lëvizin në rrethet e tjera në brendi të vendit. Shoqata Vakëfi islamik, ka shpërndarë për dy ditë në Kukës rreth 15 mijë racione ushqimore të gatshme, ndërsa shoqata tjetër Al Haramain, ka shpërndarë 11 mijë racione. UNHCR-ja, Shtabi i mbikëqyrjes në Prefekturën e Kukësit dhe organet e pushtetit lokal, po bëjnë çfarë është e mundur për të transportuar në rrethe të tjera kosovarët. Edhe pse mjetet e transportit janë në pritje, vazhdimisht po haset në kundërshti. Disa mjete të transportit marrin rrugën bosh për në rrethet nga kanë ardhur.

Në Uashington, presidenti amerikan, Bill Klinton, priti presidentin e Shqipërisë, Rexhep Meidani, ku u diskutua përparësia e integrimit të Shqipërisë në NATO. Gjithashtu, presidenti Rexhep Meidani, takohet edhe me kryeministrin francez, Lionel Zhozpen dhe presidentin Zhak Shirak. Që nga fillimi i krizës më 27 mars, e deri tani, në pikëkalimin në Morin janë futur 330 mijë persona të dëbuar. Në spitalin e Kukësit, kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 20 mijë persona, që nga dita e parë e deportimit të dhunshëm të banorëve kosovarë. Vizita dhe trajtime mjekësore bëhen edhe në katër qendra të tjera, ndërsa numri i pacientëve nga Kosova të shtruar në spital sot, është 258 persona.

Aktori i madh, Riçard Gere, arrin në Shkup dhe viziton banorët shqiptarë të shpërngulur në kampin e Stankovecit. Sipas agjencisë Kosova press, në fshatrat e Ferizajt dhe Lipjanit vazhdojnë masakrat nga ushtria dhe policia serbe. Banorëve u është prerë koka si në kohën e barbarëve dhe janë përdhunuar femra. Një nga institucionet shëndetësore që po bën shumë punë, është materniteti. Ky intitucion i shërbimit ndaj popullit po kryen një volum tepër të madh pune. Mjekët specialistë dhe stafi tjetër mjekësor punojnë me orar të zgjatur, - thotë mjeku gjinekolog Abdullah Alia.

Përsëri një artikull i Bislim Ahmetit në gazetën RD. Artikulli i tij Shqiptarët në varkën e Noes, është shkrim i hapur destruktiv e pa pikë morali. I mbushur me urrejtje e pezëm kundër luftëtarëve të lirisë, ky person na paska zbuluar se në lokalin Gjalica të Kukësit ka UDB-ash, SHIK-as, agjentë të CIA-s dhe ç’është më e veçanta, paska tri ushtri, e Luanit (është fjala për ministrin tonë të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga), ushtria e grushtit, (sipas tij e Thaçit), që nga kjo gazetë është etiketuar si marksist dhe ushtria e "V", d.m.th. e Bukoshit, e cila, sipas autorit, qenka e vërteta. Pas leximit të këtij artikulli, thashë më vete sa shpejt disa njerëz si puna e këtij gazetari, e ekzekutojnë publikisht veten!

E hënë, 26 prill 1999

Kryekomandanti i NATO-s, Uesli Klark, dje ishte në Kukës. Edhe gazetarët ishin të paktë që morën vesh se komandanti Klark ishte këtu. Burime të ndryshme, bëjnë të ditur se ai ka parë nga afër gjendjen e refugjatëve dhe është interesuar për aeroportin. Gjenerali i NATO-s, Uesli Klark, ka përcaktuar rajonin e Kukësit si zonë të rrezikut të lartë dhe citohet të ketë thënë, se banorët e shpëngulur duhet të lëvizin për në thellësi të vendit. Ka shumë ditë, që në pikëkalimin në Morin futen pak veta, por karakteristikë është se familjet vijnë të ndara. Burrat i mbajnë atje, ndërsa pjesëtarët e familjeve vijnë ca sot, ca nesër. Në gjithë vijën e kufirit, që nga Tropoja deri në Kukës, po minohet kufiri nga forcat ushtarake serbe. Në shumë raste ata këtë akt e kryejnë edhe brenda territorit tonë. Ushtria jonë u ruhet provokimeve të kundërshtarit për të mos rënë në kurthet e synimeve të tij.

Nga fronti njoftohet se është plagosur, Ramë Buja, një nga komandantët e UÇK-së dhe pjesëtar i delegacionit shqiptar në Rambuje. Ka marrë një plumb në kokë, por qartësohet se është jashtë rrezikut të jetës. Ka kaluar një muaj, që qyteti i Kukësit po jeton një gjendje të jashtëzakonshme, ku përveç mbi 20 mijë banorëve të vet, ka edhe mbi 110 mijë kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre etnike. Karakteristikë është, se nuk ka ndodhur asnjë incident, përveç disa raste grabitjesh automjetesh. Sipas verifikimit të këtyre rasteve, del se edhe këto akte kryesisht nuk kanë autorë kuksianët, por keqbërës të ardhur nga rrethe të tjera. Për mbajtjen e situatës nën kontroll, tregon edhe një prononcim i sotëm i shefit të Komisariatit të rrethit të Kukësit, Ylber Duraku, i cili shprehet se janë marrë masa të mos ndodhë asnjë incident, por edhe nëse ka tentime të kësaj natyre të eleminohen sa më shpejt.

Aktualisht ndihmat ushqimore plotësojnë vetëm 35 për qind të nevojave të të gjithë banorëve kosovarë në Kukës. Pjesa tjetër e nevojave të domosdoshme për mbijetesë plotësohet nga familjet kuksiane. Siç kemi informuar, në Kukës do të vaksinohen të gjithë fëmijët kosovarë deri në dymbëdhjetë vjeç, ndërkohë që deri sot janë vaksinuar 7 mijë fëmijë. Burime informimi nga Ministria e Shëndetësisë, bëjnë me dije se gjashtëqind mijë vaksina kanë ardhur në Shqipëri, për të ndihmuar fushatën e rëndësishme të vaksinimit. Sipas verifikimit, del se mijëra fëmijë në Kosovë, nuk janë vaksinuar me qëllim nga qeveria serbe.

Vetëm këto dhjetë ditë, në Kukës kanë lindur 80 foshnje kosovare. Të gjitha lindjet janë kryer nën kujdesin dhe asistencën mjekësore. Janë ngritur gjashtë kampe deri tani, por për shkak të motit të keq, kushtet janë shumë të vështira. Presidenti amerikan, Bill Klinton, përshëndet aktin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, që po mbajnë aktualisht barrën kryesore të krizës kosovare dhe të banorëve që janë shpërngulur me dhunë. NATO-ja, do t'i ndihmojë këto vende, - tha presidenti amerikan, Bill Klinton.

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Janosh Martoni, deklaroi se Hungaria i ka autorizuar NATO-s të përdorë tri bazat e saj ajrore për sulme kundër Jugosllavisë. Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, është kategorikisht kundër dislokimit të trupave ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Këtë e konfirmoi kryetari i nderit i Partisë Komuniste greke, Floratis. Ai pranon vetëm vëzhgues që nuk janë nga vendet e NATO-s. Ndërkohë, Vuk Drashkoviç, është shprehur për vendosjen e trupave në Kosovë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Drashkoviç këtë deklaratë e dha në stacionin televiziv Studio B të Beogradit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Uiliam Kohen, deklaron se UÇK-ja është shumë e disiplinuar. Ai, për radion Zëri i Amerikës, u shpreh se shumë shpejt UÇK-ja do të fitojë mbi Milosheviçin, ndërsa problemi i armatosjes së saj mbetet ende në diskutim.

Presidenti Rexhep Meidani, përfundoi vizitën në Amerikë ku mori pjesë në 50-vjetorin e NATO-s. Gjatë kësaj vizite, presidenti Meidani, u takua me Sekretaren amerikane të shtetit, Medlin Olbrajt, kryeministrin britanik, Toni Bler, kryeministrin spanjoll, Hoze Maria Aznar, drejtorin e USAID-it, Atush, drejtorin menaxhues, Mishel Kamdesy etj. Presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, diskutoi me personalitetet e larta të vendeve antare të NATO-s për krizën kosovare dhe domosdosmërinë e ndihmës për Shqipërinë, që aktualisht po mban mbi supe problemet më të mëdha të konfliktit. Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Samaranga, është takuar në Beograd me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç, si dhe me tre ushtarët amerikanë të arrestuar nga ushtarakët jugosllavë që ka kohë mbahen  pengje. Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar tha, se shpejt do të ketë një korridor humanitar për të dërguar ushqime e ndihma të tjera në Kosovë. Mediat italiane, bëjnë të ditur se tenori i madh, Luçiano Pavaroti, do të mbajë një koncert që do të zgjasë tri orë në Romë. Të ardhurat nga ky koncert do t'u jepen si ndihmë të dëbuarve me dhunë nga Kosova.

E martë, 27 prill 1999

Sipas Xhemil Shahut, përfaqësues i zyrës së UNHCR-së në Kukës, sot nga shoqata joqeveritare ADRA është shpërndarë ushqim i gatshëm. Është shpërndarë kryesisht miell në fshatin Breglumë, Kalis e Ujmisht, ndërsa Kryqi i Kuq ka shpërndarë 8.800 pako ushqimore. Mbrëmë, aeoroplanët luftarakë të NATO-s, kanë goditur një urë që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Gjithashtu, janë goditur rafineri nafte dhe qendra televizive në gjithë territorin e Serbisë. Punonjësi i zyrës për refugjatë në Kukës, Jonuz Kola tha, se sipas dëshmive të të ardhurve dhe burimeve të tjera të informimit, 60 burra shqiptarë nga qyteti i Prizrenit janë ndarë nga familjet e tyre. Ata po përdoren si mburojë e gjallë.

Mbrëmë, një grup ushtarësh serbë përsëri u fut në thellësi të kufirit tonë, me synim minimin e Qafës së Prushit. Gjashtë orë ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit në një vijë rreth katër kilometra, ndërsa afër mëngjesit ushtarët serbë janë tërhequr të mundur. Nuk ka patur dëmtime nga forcat tona dhe banorët e fshatrave që janë sulmuar. Ka filluar regjistrimi i të dëbuarve nga Kosova që janë pa dokumete. Shumica nuk i kanë ato, sepse puna e parë e ushtrisë serbe në çastin e dëbimit të tyre, ka qenë grisja e dokumentit të identifikimit dhe heqja e targave të makinave. Sipas zëdhënësit të UNHCR-së në Kukës, ata do të pajisen me karta identiteti.

Sot në mëngjes, Viktor Çërnomerdin, është takuar me presidentin rus, Boris Jelcin, lidhur me konfliktin në Kosovë. Ndërkohë, janë takuar me dyer të mbylluara i ngarkuari për Kosovën, Viktor Çërnomerdin dhe zëvendëssekretari i shtetit amerikan, Stet Tatbot. Njoftohet se në Uashington presidenti amerikan, Bill Klinton, është takuar me presidentin e ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Presidenti Klinton, ka mbajtur qëndrim kritik për veprimet antishqiptare të qeverisë maqedone.

Deri në orën 13 të ditës së sotme, kanë kaluar pikën e Morinit 30 persona, kryesisht nga qyteti i Prizrenit. Në Kukës ka 101 mijë persona, ndërsa vazhdon transporti i ngadaltë për në rrethe të tjera. Sipas zëdhënësit të Shtabit të Mbikëqyrjes së situatës në Prefekturës, janë transportuar për në brendësi të vendit tre mijë persona. Në Kukës, deri tani, janë ngritur tetë kampe. Kushtet e jetesës në to janë të mira, por moti i keq dhe i lagësht vështirëson pareshtur jetën e tyre, veçmas të fëmijëve. Në kampe janë të strehuar afër tridhjetë mijë persona.   Vazhdon abuzimi në transportin e udhëtarëve për në Tiranë. Bileta kushton 50 marka gjermane për kosovarët, ndërsa për banorët vendës ka tjetër çmim, sigurisht më të ulët.

Qiraja e banesave në qytetin e Kukësit, luhatet nga 600 deri në 1000 marka gjermane në muaj. Dhënia e banesave me qira, u praktikua atëherë kur numri i të ardhurve kaloi njëqind mijë veta dhe kërkesat për të futur kokën nën strehë u bë domosdoshmëri. Në rritjen e nivelit të qirasë së banesave, kanë luajtur rol edhe gazetarët e agjencive të huaja të atashuar në Kukës, punonjësit e shoqatave të ndryshme humanitare etj. Pagesa nga ta për një shtëpi me qira shkonte deri në katër mijë dollarë në muaj.

Përsëri, Ana Oksa, në emisionin Porta e porta të Bruno Vespës në kanalin Rai Uno. Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, sonte është përballë dy politikanëve italianë që vazhdimisht mbrojnë interesat serbe, Minotit dhe Umberto Bosit. Ky i fundit, para pak ditësh ka vizituar Beogradin. Ana Oksa, me shumë guxim mbron vëllezërit e vet kosovarë. Atë po e thërret gjaku shqiptar dhe shqiptarja Ana Oksa thotë: ja ku jam. Në aeroportin e Rinasit, rrëzohet një helikopter Apaç. Për arsyet që ende nuk dihen, ai ka marrë flakë, por nuk ka patur asnjë viktimë.

 E mërkurë, 28 prill 1999

Qyteti i Kukësit, është shndërruar në stacion të dhimbjes, që më pas rrezatohet në gjithë botën. Këtu është përqendruar gjithë drama njerëzore me përmasat e saj reale. Kukësi, është kthyer në shesh tragjik i shekullit të 20-të. Ky qytet, njëherësh, është shpresa e madhe, por në çdo çast edhe bombë automike njerëzore. Dhëntë zoti e fitoftë shpresa njerëzore, sepse varri gjigand kolektiv nuk beson askush të jetë fat për shqiptarët.

Kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar Agim Çekun, oficer me përvojë, shef të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ibrahim Rugova, takohet me presidentin e Serbisë, Milan Milutinoviç. Sipas kanaleve kryesore italiane, Ibrahim Rugova, ka rënë dakord në bisedimet me presidentin serb për një autonomi të gjerë të Kosovës.

Janë goditur aeoropotet e Beogradit dhe të Podgoricës. Gjithashtu, është goditur edhe një rajon civil, për të cilin burime informacioni serbe jo fort të besueshme, thonë se kanë vdekur 20 veta. Duke parë humbjen e sigurt, ka dezertime nga radhët e ushtrisë jugosllave. Kësisoj ajo po shpartallohet, duke shënuar fundin e turpshëm të një makine dhune që është e papranueshme për shekullin e ri. Predha serbe, sot kanë goditur fshatin Cahan, në rrethin e Hasit. Gjithashtu, janë goditur edhe fshatrat e rrethit të Tropojës afër kufirit. Pesëmbëdhjetë predha, kanë rënë mbrëmë në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit. Fshati ka evakuuar fëmijët, gratë dhe pleqtë, ndërsa burrat po mbajnë frontin.

Sipas dëshmive të të ardhurve, dje serbët në qytetin e Prizrenit lajmërojnë me autoporlant popullatën që brenda 30 minutash të braktisin shtëpitë e tyre e të nisen për në Shqipëri. Shumë burra të këtij qyteti, përdoren për të hapur llogore për ushtrinë serbe dhe pas kryerjes së punës ua marrin jetën barbarisht. Deri në ditën e sotme, llogaritet 45 milionë dollarë ndihma e vendeve të ndryshme të botës për Shqipërinë për të bërë të mundur përballimin e krizës kosovare.

Burime nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit, deklarojnë se familjet kuksiane, hasjane dhe tropojane, që kanë strehuar banorë të shpërngulur nga Kosova, do të përfitojnë 21 mijë lekë për familje. Ndërkohë, sot hapen edhe mjediset e pallatit të kulturës "Hasan Prishtina", për të kaluar natën ata të dëbuar që për shumë kohë janë jashtë dhe të pastabilizuar. Përfaqësuesi i UNHCR-së, Daniel Enders, shprehet se këtu mund të futen mbi 500 veta, ndërsa ne do t'i pajisim me batanije dhe ushqim. Gjatë një diskutimi në Strasburg, lideri i partisë Forca Italia, Silvio Berluskoni, deklaron se kosovarët, jo vetëm që duhen ndihmuar në Shqipëri, por edhe kur të kthehen në shtëpitë e tyre. Vendi i tyre duhet rindërtuar,- tha lideri i "Forca Italia".

E enjte, 29 prill 1999

Në Bashkinë e qytetit të Kukësit, sot ka filluar shpërndarja e ndihmave për familjet mikpritëse. Janë 236 ton miell, 26 ton oriz, 44.5 ton vaj, 2.26 ton sheqer, ndërsa 326 ton sasi ushqimore do të mbahen  për më vonë. 

UNHCR-ja, kërkon të mos ketë orar të reduktuar të ujit të pijshëm, pasi banorët në qendra kolektive kanë shumë nevojë për të larë e pastruar. Duke patur ujë të vazhduar, zvogëlohet mundësia e përhapjes së sëmundjeve epidemike, ndërsa prefekti Qemal Elezi, i sugjeron bashkisë që qyteti të mbahet i pastër dhe rrugët e qytetit të lagen çdo mëngjes e mbrëmje. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kukës, Vasil Teta, vazhdon fushata e vaksinimit në rrethin e Hasit. Sipas tij, gjendja është më e keqe në fshatin Fajzë, ku ka mbi 1500 persona dhe uji është tepër i pakët. Në këtë fshat, janë vërejtur tri familje me TBC dhe po merren masat për të krijuar për ta kushte të veçanta.

Formohet Garda Ushtarake e Kosovës. Nga Qeveria e përkohshme me kryeministër, Hashim Thaçin, ngarkohet Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për funksionimin e saj. Komandant i Gardës u emërua, Sulejman Selimi, një nga komandantët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Viktor Çërnomerdin, i ngarkuari rus për krizën kosovare deklaron, se Beogradi është gati të tërheqë trupat nga Kosova. Kështu i tha ai sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, por me kusht që NATO-ja të ndalë bombardimet dhe pastaj të fillojnë tratativat e paqes me presidentin jugosllav Slobodan Milosheviç.

Gjenerali, Uesli Klark, ka deklaruar se do të godasë me të njëjtën forcë deri kur armiku të dorëzohet. Burime nga fronti i luftës në Kosovë, dëshmojnë se armiku po përdor armën kimike kundër luftëtarëve të lirisë dhe popullsisë civile krejtësisht të pambrojtur. Kryeministri Pandeli Majko, u nis sot për në Gjermani me ftesë të kancelarit të këtij vendi, Gerhard Shrëder. Kryeministrin Pandeli Majko, e shoqërojnë edhe antarët e qeverisë, Ingrit Shuli, Petro Koçi dhe Ylli Bufi. Delegacioni shqiptar, do të ketë një agjendë të ngjeshur takimesh, ku do të diskutohet sidomos për konfliktin në Kosovë.

NATO-ja, parashikon të lëvrojë një fond prej 80 milionë dollarësh për rehabilitimin e rreth pesëqind kilometrash rrugë në veri të Shqipërisë, ndërsa Qeveria japoneze deklaroi, se do të akordojë 200 milion dollarë për refugjatët kosovarë. Dje, ka vdekur Shpend Hajdarmataj, 32 vjeç, nga Tropoja, i cili ishte plagosur rëndë nga predhat e ushtrisë serbe në afërsi të shtëpisë së tij.   Shtatë predha, ranë mbrëmë në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit, ndërsa tetë predha në fshatin Cahan, po të këtij rrethi.

Sot, ka ndryshuar katërcipërisht gjendja në pikëkalimin e Morinit. Deri në orën 17, kanë hyrë në drejtim të Kukësit mbi 3 mijë veta. Ato vijnë nga qytetet Prizren, Gjakovë dhe Obiliç. Rritet përsëri numri i atyre që qëndrojnë në Kukës, duke kaluar mbi 110 mijë persona. Në rrethin e Tropojës, ka mbi dy mijë të dëbuar nga Kosova. Drejtoresha e spitalit të qytetit të Bajram Currit, Yllka Çela, pohon se në spital ka mungesa të theksuara medikamentesh. Këtu mjekohen rreth 20 të plagosur në ditë, kryesisht ushtarë, që janë plagosur në front në luftime me armikun. Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Evropës, u bën thirrje qyteteve evropiane për të ndihmuar të dëbuarit nga Kosova.

E premte, 30 prill 1999

Nga fronti i luftës, jep intervistë komandanti i lavdishëm i UÇK-së, Ramush Haradinaj. Ai, ndër të tjera, i thotë radio Zëri i Amerikës, se UÇK-ja, jo vetëm po mbijeton, por ajo është trefishuar. Për këtë arsye, ka lindur nevoja e riorganizimit të saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Uiliam Kohen, paralajmëroi Moskën për pasojat politike e ekonomike, në rast të shkeljes së embargos së naftës për Serbinë. Unë shpresoj, se rusët nuk do ta bëjnë këtë, - tha ai. Ndërkohë, vendin tonë e viziton shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave ushtarake amerikane, gjenerali Shelton. Ushtarakun e lartë amerikan e priti ministri i Mbrojtjes shqiptare, Luan Hajdaraga. Ata diskutuan problemet që kanë dalë pas krizës nga konflikti në Kosovë.

Presidenti Rexhep Meidani, takohet me kryeministrin francez, Lionel Zhozpen, me të cilin diskuton për krizën kosovare dhe përpjekjet që po bën Shqipëria për të përballuar pasojat e këtij konflikti të rrezikshëm. Shqipërinë, sot e kanë vizituar edhe ministri i Mbrojtjes i Anglisë, lordi Xhorxh Robertson, ministri i jashtëm i Austrisë Shysel dhe ai i Mbrojtjes holandeze. Një ditë diplomatike tepër e ngarkuar me vizita personalitetesh të larta të vendeve evropiane.

Vazhdojnë të vijnë shumë të dëbuar. Vetëm sot, kanë ardhur 1.500 veta, ndërkohë që ritmi i lëvizjes në rrethe të tjera është i ulët. Në kampin Parku i ri, janë 196 çadra me mbi 2.500 veta. Kushtet janë të këqia. Uji futet në çdo çadër, balta i ka mbuluar dhe ndriçim nuk ka. Çdo ditë, vetëm në spitalin e qytetit të Kukësit, kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 200 persona. Ata mjekohen edhe në spitalin e qytetit, por edhe në qendrat mjekësore që janë ngritur nga shoqatat joqeveritare që veprojnë në Kukës në ndihmë të popullsisë së shpërngulur.

Pasdite, fluksi i të ardhurve është i madh. Deri në orën 20, kanë hyrë nga pikëkalimi në Morin, mbi 5 mijë persona. Që nga 29 marsi, në maternitetin e Kukësit, kanë lindur 110 foshnje kosovare, - thotë mjeku gjinekolog, Korab Shehu. Për të përballuar situatën, është zvogëluar koha e qëndrimit të nënave lehonë në rregjim spitalor. Sipas këtij burimi, deri tani ka patur 10 lindje me operacion, ndërsa një fëmijë ka lindur i vdekur. Llogaritet të jenë në Kosovë, mbi 50 mijë ushtarë serbë. Ky numër i madh ushtarësh, tregon për synimet e qarta të Serbisë. Me këtë akt, ajo po tregon se nuk njeh gjuhë tjetër veç gjuhës së forcës.

Ministrat e punëve të jashtme të treshes së OSBE-së, Norvegji, Austri dhe Poloni, do të takohen në Vjenë, për të dhënë një pasqyrë të gjendjes në Kosovë. OSBE-ja, ka mbledhur 250 dëshmi nga të dëbuarit kosovarë që janë vendosur në Ohër e Gostivar, për masakrat që serbët kanë ushtruar në popullsinë civile. Ambasadori jugosllav në Moskë, është vëllai i presidentit Slobodan Milosheviç. Ai ka deklaruar me shumë mendjemadhësi, se Jugosllavia nuk dorëzohet kurrë dhe për pasojë, as Kosova nuk do të lëshohet. Përfundoi faza e parë e vaksinimit të fëmijëve kosovarë në Kukës. Deri ditën e sotme janë vaksinuar mbi 24 mijë fëmijë.

 E shtunë, 1 maj 1999

Enver Ramadani nga Opoja, më shumë se 30 vjet emigrant në Gjermani, jep një intervistë në Radio-Kukësi dhe ndër tjera thotë, se nuk ka gëzuar pothuajse asnjëherë lumturinë familjare. Ai është martuar në moshën 20-vjeçare dhe tani është 52 vjeç. Një jetë në mërgim. Një jetë larg familjes, larg bashkëshortes e tre djemve të tij. Ai, ka ardhur në Kukës për të vizituar familjen dhe ishte i lumtur që djalin e dytë, Sametin, e kishte në front të luftës. Nuk ka më mirë se të luftosh për kombin tënd. Ky veprim, është një nder i madh për të gjithë shqiptarët. Unë, sot jam shumë krenar që kam djalin tim në front duke dhënë kontribut për çlirimin e Kosovës, - shton ai.

SHBA, krahas diskutimit për dërgimin e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë, po shqyrton edhe mundësinë e ndihmës së UÇK-së si faktor i rëndësishëm i zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Një zyrtar i lartë amerikan u shpreh, se UÇK-ja është e vetmja forcë që mbron popullin e rrezikuar. Në fshatrat Zapod dhe Bele të rrethit të Kukësit, kanë rënë 20 predha. Në fshatin Bele, janë shkatërruar dy shtëpi dhe është shembur një kabinë elektrike.

Sipas drejtorit të ujësjellësit, Jashar Çiku, po pengojnë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Kukësit numri i madh i lavazheve në qytet dhe ndërhyrja e paligjshme në tubin kryesor të ujësjellësit të qytetit. Për këtë, ai kërkon ndihmën e shtetit me qëllim të përmirësimit të gjendjes. Vazhdon fluksi i të ardhurve nga Kosova. Janë gjashtë mijë banorë, kryesisht nga Mitrovica. Karakteristikë është se shumica vijnë në këmbë dhe janë të rraskapitur nga rruga e gjatë që kanë përshkuar. Për shkak të të ardhurve të shumtë të këtyre ditëve, gjendja sociale është rënduar shumë. Sa stabilizohet pak situata, prishet menjëherë për shkak të ardhjes së banorëve të rinj të dëbuar nga Kosova.

Në Morin, nga shoqata humanitare, Mjekët pa kufi, është ngritur një klinikë për të sëmurët që vijnë nga Kosova. Sipas drejtorit të Bujqësisë dhe ushqimit në Kukës, Isak Shehu, çdo ditë në qytet shpërndahen falas 22 mijë bukë. Rreth 15 mijë bukë sillen nga Tirana dhe rrethet e tjera, ndërsa 7 mijë bukë gatuhen në furrat tona në Kukës. Përveç këtyre, çdo ditë shpërndahen edhe 32 ton miell, për të mbajtur gjallë mbi njëqind mijë njërëz. Gjithsej në rrethin e Kukësit, shpërndahen rreth 110 tonë ndihma ushqimore në ditë.

Si pasojë e bombardimeve me artileri nga ushtria serbe, në fshatin Letaj të rrethit të Hasit, janë shkatërruar dy shtëpi banimi, Gjithashtu, janë goditur edhe fshatrat Dobrunë, Golaj e Zahrisht po të këtij rrethi. Kryetari i Partisë Republikane Shqiptare, Fatmir Mediu, deklarohet për qeverinë e Hashim Thaçit duke mohuar kështu qeverinë fantazmë "Bukoshi".

E diel, 2 maj 1999

Mbrëmë rreth orës 22, është mbyllur kufiri nga pala jugosllave. Deri në këtë orë, kanë kaluar kufirin në drejtim të Kukësit më shumë se tetë mijë kosovarë të dëbuar, kryesisht nga qyteti i Prizrenit. Kështu, nga njëqind mijë veta që ishin në Kukës, brenda këtyre pesë ditëve, përsëri numri është rritur në 130 mijë persona. Ky numër i madh ka prishur rregullsinë provizore të vendosur në drejtimin e furnizimit me ushqime dhe materiale të tjera jetësore. Mijëra veta, kaluan natën e mbrëmshme në trotuaret e qytetit ose shkallët e hyrjeve të pallateve. Shtëpitë e banorëve të qytetit të Kukësit, janë të mbushura plot me kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre.

Mjekët, japin alarmin se katastrofa e kolerës është në prag, prandaj qyteti duhet të dizinfektohet, ndryshe jeta e të gjithëve është në rrezik. Për transportin e të dëbuarve nga qyteti i Kukësit për në brendësi të vendit, janë vënë në dispozicion edhe 150 mjete transporti të NATO-s. Mbrëmë pati përsëri bombardime nga artileria e ushtrisë jugosllave, në drejtim të fshatit Vlahën të rrethit të Hasit. Si pasojë është shkatërruar një shtëpi, ndërsa në Pla të Krumës mbi tridhjetë hektarë tokë janë të mbuluara nga minat kasetë.

Bujar Bukoshi, ka replikuar me presidentin Rexhep Meidani, i cili nuk e ka njohur si kryeministër. Në radio BBC, ai është shprehur se Meidani po i fryn zjarrit. Bujar Bukoshi, nuk ka se ç'të bëjë tjetër, pasi autoriteti i tij ka rënë përtokë. Ai mendjen e ka te qeveria e humbur, e jo te tragjedia e madhe kombëtare që po ndodh konkretisht. Mbrëmë, avionët luftarakë të NATO-s, kanë goditur objekte të ndërlidhjes në Serbi, kazerma dhe kolona tankesh, si dhe formacione ushtarake. Dëmet të jenë të mëdha. Veprimtari për të drejtat e njeriut amerikani me ngjyrë, Xhesi Xhekson, u takua dje me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç. Ai ka mundur të lirojë tre ushtarët amerikanë të zënë rob nga ushtria jugosllave. NATO-ja, për lirimin e tre ushtarëve amerikanë nga Serbia, nuk pranon asnjë kusht.

Një nga problemet më të dhimbshme të kësaj krize, është edhe ndarja e fëmijëve nga familjet e veta. Radio-Kukësi, përmes gazetarit Demir Reshiti, sot bëri një kronikë për një fëmijë të humbur dhe që një banor nga fshati Plavë i Opojës, me emrin Shyqyri Misini, e kishte futur në familjen e vet. Fëmijët e Shyqyriut ia kishte ngjitur emrin, Atdhetare Kosova. Vajza e pagëzuar me këtë emër, aktualisht banon në Kampin e italianëve në Rexhepaj. Deri në ditën e sotme, në Kukës, më shumë se 30 pleq, janë të vetmuar. Deri tani, janë kujdesur shoqatat e huaja, por edhe spitali i qytetit të Kukësit që ka hapur një pavion të posaçëm për ta.

E hënë, 3 maj 1999

Sot paradite, kanë rënë disa predha pranë transmetuesit të Radio Televizionit Shqiptar në Qafë të Prushit, por pa mundur të shkaktojnë dëmtime. Synimi ishte i qartë: të ndërpritej sinjali i transmetimit të emisioneve të këtij kanali televiziv tepër të rëndëshishëm, që mbulon pothuajse gjithë territorin e Kosovës. Drejtoria e Radio-Kukësit, mori masa urgjente për ta hequr përkohësisht transmetuesin.

Deri sot në Kukës, ka tetë kampe me një kapacitet strehimi mbi 22 mijë banorë. Roli i këtyre kampeve ka qenë jetik për banorët, pasi mbi 40 për qind e tyre kanë kaluar natën nën qiell të hapur. Tani edhe mbikëqyrja e tyre është më e mirë. Mbrëmë, Beogradi ka kaluar netët më të vështira. Nga avionët luftarakë të NATO-s, është goditur impianti kryesor i furnizimit me energji elektrike, duke zhytur kështu qytetin në errësirë të plotë. Avionët kishin hedhur bomba me grifit që realizojnë një qark të shkurtër në impiante elektrike. Kanali autoritar italian Rai Uno, jep një intervistë të një paramilitari serb, që është zënë rob nga UÇK-ja. Paramilitari serb, deklaron se ka vrarë 80 shqiptarë. Gjithashtu, ai dëshmon para gazetarëve edhe për dhunimet e vjedhjet që serbët kanë ushtruar ndaj popullsisë shqiptare.

Shumë shoqata joqeveritare dhe asociacione të tjera, si Komiteti i Helsinkit, Grupi për të Drejtat e Njeriut etj., po mbledhin dëshmi nga të dëbuarit, për t'i paraqitur në Gjyqin e Hagës. Sokol Berberi, përfaqësues i Komitetit të Helsinkit tha, se kemi mbledhur mijëra dëshmi rrëqethëse, që në luftërat e mëparëshme nuk kanë ndodhur. Kjo dëshmon papërgjegjshmërinë e një rregjimi diktatorial, si ai i Slobodan Milosheviçit.

Si pasojë e bombardimeve të djeshme, në lagjen Zylfaj të fshatit Dobrunë të rrethit të Hasit, janë shkatërruar pesë shtëpi, si dhe është goditur posta e kufirit në Qafë të Prushit. Sot, kanë hyrë nga pikëkalimi i Morinit, rreth 3.500 veta nga qyteti i Prizrenit. Të ardhurit tregojnë për tmerret që po ndodhin atje. Nga forcat ushtarako-policore jugosllave dhe paramilitarët. Kosova po zbrazet plotësisht. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë aty. Synimi i agresorit është që, duke sjellë gjithë shqiptarët e Kosovës në Kukës, ta shndërrojë këtë qytet në një varr gjigand. Mirëpo, gjithë kjo përpjekje e diplomacisë ndërkombëtare dhe angazhimi i NATO-s me sulmet e pandërprera kundër Serbisë në përkrahje të luftëtarëve të lirisë, sigurisht që nuk do të lejojnë arritjen e qëllimeve ogurzeza. Askush nuk mendon, se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar lufton për të humbur.

Kemi njoftime se është vrarë Komandant Kodra, drejtues i Brigadës 122. Ai ka qenë ndër luftëtarët e parë kundër dhunës serbe dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Adem Jasharit. Në familjet e qytetit të Kukësit, ka mbi 60 mijë veta, ndërsa ndihmat janë vetëm për 40 për qind të tyre. Kështu shprehet sot në një intervistë, kryetari i Bashkisë së qytetit të Kukësit Safet Sula.

Forcat ushtarake serbe shkatërruan mbrëmë postën e Dobrunës dhe të Qafës së Prushit. Këto provokime, janë bërë të zakonshme dhe është i qartë synimi i tyre. Ata kërkojmë që domosdo ta përfshijnë edhe Shqipërinë në këtë konflikt. Deri në ditën e sotme, në maternitetin e Kukësit, kanë lindur 140 foshnje kosovare. Gjatë kësaj kohe, ka patur 70 aborte të pavullnetshme, si pasojë e traumave që kanë pësuar nënat. Kryeministri britanik, Toni Bler, u drejtohet shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga Kosova: Ne do të bëjmë gjithçka, që këta njerëz të pafajshëm të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë, në qytetet dhe fshatrat, ku kanë lindur. Në një fjalim para kombit të vet, presidenti francez Zhak Shirak, tha se nuk u duhet besuar aspak taktikave djallëzore të Slobodan Milosheviçit. Ne nuk mund të pranojme spastrimin etnik të një populli, prandaj NATO-ja duhet të vazhdojë bombardimet për 24 orë rresht derisa Beogradi të pranojë deomos kushtet e vendosura nga komuniteti ndërkombëtar.

E martë, 4 maj 1999

Gjenerali Uesli Klark, erdhi përsëri në Tiranë, për të inspektuar trupat e NATO-s, të instaluara në Shqipëri. Në një intervistë që ai dha në aeroportin e Rinasit deklaroi, se shkaktari kryesor i luftës në Kosovë është presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç. Vetëm dy ditët e fundit, kanë kërkuar ndihmë mjekësore më shumë se 2.500 persona të dëbuar nga Kosova. Problemi kryesor thotë nëndrejtori i spitalit të qytetit, mjeku Xhemali Peposhi, është furmizimi me medikamente. Aktualisht, në spital janë të shtruar 500 veta, ndërkohë që kapaciteti i këtij spitali është 230 shtretër. Shoqata të ndryshme joqeveritare në spitalin e Kukësit kanë sjellë barna të ndryshme, por shumica e tyre janë afër kufirit të skadencës ose të skaduara, - thotë Xhemali Peposhi.

Sot deri në orën 17, kanë kaluar kufirin mbi 3 mijë persona. Të ardhurit janë të cfilitur, sepse ka një muaj që rrinë maleve dhe luginave të Kosovës duke u ikur përndjekjeve të ushtrisë serbe. Vazhdon rregullisht ndarja e burrave nga gratë dhe fëmijët, si dhe plaçkitja gjatë rrugës deri në Morin. Burrat vijnë në Kukës, jo vetëm të rraskapitur, por edhe të keqtrajtuar, të rrahur e goditur me mjete të forta. Është gjetur në ujërat e Liqenit të Fierzës, në anën e lumit Drini i Bardhë, kufoma e një vajze me kokë të prerë. Të gjitha gjasat janë, se ajo është shqiptare nga Kosova e përdhunuar nga ushtarët serbë dhe pastaj e masakruar. Kufoma mendohet të jetë rreth 20 vjeç.

Kryetari i Parlamentit Shqiptar, Skënder Gjinushi, deklaron se njeh vetëm qeverinë e Hashim Thaçit, pasi ajo ka dalë në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë. Kryeparlamentari Skënder Gjinushi, i bën thirrje Lidhjes Demokratike, t'i bashkohet kësaj qeverie.

Pas takimit të presidentit amerikan, Bill Klinton dhe të dërguarit rus Viktor Çërnomerdin, nga zëdhenësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhejms Rubin, është deklaruar se presidenti jugosllav Slobodan Milosheviç, duhet të tërheqë sa më shpejt trupat ushtarake dhe policore nga Kosova. Vetëm pas këtij akti, do të pushojnë bombardimet mbi objektet ushtarake e strategjike të Jugosllavisë.

Kriza e Kosovës është në qendër të vëmendjes në takimin e ministrave të Këshillit të Evropës, që zhvillohet të enjten e të premten në Budapest të Hungarisë. Në këtë takim, marrin pjesë 30 ministra të Punëve të jashtme. Mbrëmë avionët e NATO-s, kanë goditur ndërtesën e Televizionit të Novi-Sadit. Bombardime të objekteve strategjike ka patur edhe në Beograd. Presidenti amerikan, Bill Klinton, tha se do të ndalen bombardimet vetëm nëse Slobodan Milosheviç pranon kushtet e NATO-s. Këtë koment ai e bëri para takimit me Viktor Çërnomerdinin, i ngarkuar rus për konfliktin në Kosovë. Çërnomërdin, pas takimit tha, se jemi pranë një zgjidhjeje, por Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk ka përparim.

Kryeministri britanik, Toni Bler, sot ka vizituar kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë. Në takimin që ai pati me banorë të këtij kampi, të dëbuar nga Kosova, tha se herën tjetër do të takohemi në Kosovë. Kryetari i Komisionit Evropian, Romano Prodi, presidenti francez, Zhak Shirak dhe kryeministri italian Maximo d'Alema, në një deklaratë të përbashkët janë të vendosur për zgjidhjen e problemit kosovar.

Bëhet e ditur se Ibrahim Rugova, lihet i lirë të shkojë në Itali. Ai, bashkë me familjen, udhëton nga Beogradi në Romë me aeroplan special. Nuk po marrim vesh se ç'po bëhet me Rugovën. Deri tani, as ai dhe as partia e tij, nuk kanë arritur të jenë faktor në zgjidhjen e krizës. Treqind mijë banorë të Kosovës veriore jetojnë në lugina e male, në kushte tepër të vështira. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, paralajmëroi, se në ditët e ardhshme numri i refugjatëve në Shqipëri dhe Maqedoni do të rritet. Më 7 maj në orën 18, në sheshin e qytetit të Kukësit, do të organizohet një koncert artistik me moton "Ne të gjithë kemi vuajtur mjaft", ku do të marrin pjesë artistë kuksianë dhe kosovarë.

E mërkurë, 5 maj 1999

I dërguari i posaçëm i kryeministrit Pandeli Majko, në Kukës, Vladimir Shehu, në një takim të sotëm me drejtues të kampeve, veçon punën e mirë që është bërë për të vendosur banorët e shpërngulur nëpër këto kampe. Në emër të Qeverisë shqiptare, shpreh mirënjohjen për popullin e Kukësit, - tha zoti Shehu. Ne, i kemi shumë borxh atij për gjithë atë kontribut që po jep në përballimin e situatës". Detyrën më të rëndësishme, që i dërguari i posaçëm i kryeministrit Pandeli Majko, shtroi para drejtuesve të kampeve ishte transportimi i sa më shumë  banorëve kosovarë për në rrethet e tjera, si dhe miradministrimi i ndihmave ushqimore. Përfaqësuesi i UNHCR-së, Daniel Enders, u tha drejtuesve se kampet duhet të kenë një numër sa më të vogël njerëzish, që puna të jetë sa më cilësore. Gjithashtu, ai sugjeroi që kampet nuk duhet të jenë pranë kufirit, pasi në Kosovë ka luftë dhe rreziku është gjithnjë i pranishëm. Edhe përfaqësuesi i OSBE-së në Kukës, Petër Butt, shtroi domosdoshmërinë e lëvisjes së banorëve të shpërngulur për në rrethet e tjera të vendit.

Janë 26 km vijë kufitare të rrethit të Hasit me Kosovën dhe tetë fshatra janë buzë të kufirit. Për shkak të luftës dhe provokimeve të vazhdueshme të ushtrisë serbe në këto fshatra, gjendja e banorëve këtu është e rëndë. Sipas zotit Hysni Alia, Kryetar i Këshillit të Rrethit të Hasit, nga këto fshatra janë larguar më në thellësi mbi 2.500 banorë. Kështu, nuk ka të shpërngulur vetëm nga Kosova, por edhe nga fshatrat buzë kufirit në rrethet Has e Tropojë të Prefekturës së Kukësit. Ky zhvillim, ka ndërlikuar shumë situatën. Ka kohë, që në qytetin e Krumës, është hapur një qendër informimi, e cila vepron rregullisht dhe informon mediat për gjithçka ndodh në këtë rreth. Iniciatorë për ngritjen e kësaj qendre që mban lidhje të rregullta me Radio-Kukësin, janë dy kolegë tanë kosovarë tepër të përkushtuar, Nexhat Çoçaj e Besim Muhadri.

Sot në mëngjes, u rrëzua helikopteri i dytë Apaç, rreth 75 km nga aeoroporti ushtarak i Gjadrit. Kanë humbur jetën dy pilotët. Rrëzimi i tij ka qenë aksidental, ndërsa një helikopter i tillë kushton 16 milionë dollarë. Presidenti amerikan, Bill Klinton, ka vizituar kryeqytetin belg, Brukselin. Ai ka zhvilluar bisedime me funksionarë të lartë të NATO-s ndër të cilët edhe me gjeneralin, Uesli Klark. Në rrethin e Tropojës, ka dy muaj që punonjësit buxhetorë nuk marrin pagat. Nga Tirana, nuk kanë shkuar paratë në drejtim të qytetit të Bajram Currit për arsye të sigurisë. Por, pas marrjes së masave nga forcat e rendit, sot lekët shkojnë në bankë të këtij rrethi. Në fshatin Gostil, sot është aksidentuar një fëmijë pesëvjeçar nga Prizreni, i cili pas pak vdiq. Është rasti i parë i një aksidenti të kësaj natyre që nga fillimi i krizës.

Sot janë furnizuar me pako ushqimore, lagjet 1, 2 dhe 6, ndërsa nesër edhe lagjet e tjera të qytetit. Po sot shoqatat joqeveritare, të ardhura në Prefekturën tonë, ADRA dhe HCC, kanë furnizuar rrethin e Hasit me rreth 75 tonë ushqime. Sot në pikëkalimin në Morin, mbërritën 8 mijë persona kryesisht nga Suhareka, Prizreni dhe Gjakova. Me gjithë gjendjen e rëndë sociale, shkaktuar nga konflikti në Kosovë dhe numri i madh i të dëbuarve që janë në Kukës, sot u festua Dita e Dëshmorëve të Atdheut. E veçanta është, se për herë të parë kjo ditë e madhe u kremtua nga të gjithë shqiptarët së bashku. I mora një intervistë një plaku 85-vjeçar nga fshati Bresanë i Opojës me emrin Ramadan Bislimi. Është hera e dytë që vizitoj varrezat e dëshmorëve. Herën e parë atë ditë kur erdha, e të dytën sot, - tha ai. Kush nderon gjakun e të rënëve, nderon edhe vetveten, - tha, ndër të tjera, plaku kosovar.

Mësohet nga të ardhurit, se mijëra shqiptarë nga Mitrovica, janë kthyer prapa. Janë të rraskapitur dhe pa ushqim për disa ditë. Ibrahim Rugova, sot shkoi në Romë. Pasdite, në orën 19, 20, ai takohet me kryeministrin italian, Maximo d'Alema, ku asiston edhe ministri i jashtëm, Lamberto Dini.

E enjte, 6 maj 1999 

U zhvillua sot manovra ushtarake Hasi 99, vetëm dy kilometra larg kufirit me Kosovën. Merrte pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. SHBA, mirëpriti dje mbërritjen e Ibrahim Rugovës në Itali, por u theksua se gabohet Milosheviçi që beson, se me këtë veprim taktik të tij, do të ndalojë NATO-ja bombardimet. Politikanë dhe personalitete shqiptare deklarojnë, se veprimet e Rugovës janë tepër të diskutueshme dhe të dyshimta pavarësisht rrethanave kur janë kryer.

Një marrëveshje në favor të Kosovës, mund të arrihet në mbledhjen e ministrave të shtatë vendeve më të industrializuara të botës. Po i ngushtohet kështu rrethi Rusisë dhe Serbisë. Presidenti amerikan, Bill Klinton, i shoqëruar nga kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, vizitoi një qendër refugjatësh shqiptarë në Gjermani. Klinton i siguroi shqiptarët e dëbuar duke thënë, se jemi të vendosur në luftën tonë dhe sigurisht ju, shpejt do të jeni në shtëpitë tuaja.  Zonja e parë amerikane, Hilari Klinton, u uroi mirëseardhje shqiptarëve të parë të Kosovës, që mbërritën në Amerikë. Në një fjalim para 453 shqiptarëve ajo tha, se nuk do të lejohet Serbia t'i nxjerrë ata nga trojet e tyre etnike.

Sot në orën 14, në një konferencë për shtyp, presidenti amerikan Bill Klinton, deklaroi për një kthim të shpejtë të të dëbuarve në shtëpitë e tyre. Në qytetin e Kukësit, që bart peshën kryesore të krizës kosovare, Kryqi i Kuq dhe UNHCR-ja mbikëqyrin ndihmat humanitare të destinuara për të dëbuarit me dhunë nga Kosova. Ish-ministri i Jashtëm grek, Karolos Papulias, në krye të një delegacioni parlamentarësh vizitoi Beogradin. Ai u takua me presidentin jugosllav Milosheviç dhe temë kryesore ishte konflikti në Kosovë. Nuk pritet asgjë e mirë nga këto kontakte pasi dihet qëndrimi prosllav i Greqisë dhe e drejtuesve të shtetit të saj.

Ka dalë vendimi nga Qeveria shqiptare që çdo familje që strehon kosovarë, do të shpërblehet me nga 260 lekë në muaj për një person. Sot edhe në zonën e Shishtavecit, ka patur incidente shkaktuar nga forcat ushtarako-policore jugosllave. Është minuar terreni edhe brenda kufirit tonë. Evakuuimi i banorëve të shpërngulur nga territoret e tyre etnike që gjenden në Kukës, këto ditë ka pësuar një rritje, për arsye të ardhjes këto ditë të shumë banorëve. Sot, lëvizën poshtë me 150 automjetet e NATO-s 4.500 veta, ndërsa, po sot kanë hyrë në pikëkalimin e Morinit 2.000 persona.

Deri tani, kanë marrë ndihmë mjekësore nga të ardhurit në Kukës rreth 50 mijë veta dhe ka përfunduar procesi i vaksinimit kundër poliomelitit dhe fruthit. Janë vaksinuar gjithsej 80 mijë veta të moshës deri 14 vjeç. Në Qafën e Prushit të rrethit të Hasit deri tani, kanë hyrë mbi 60 mijë banorë kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Në rrethin e Hasit, aktualisht ka 23 mijë persona, 17 mijë në familje dhe 6 mijë në kampe. Pjesa tjetër ka lëvizur në rrethe e tjera.

Spitali i qytetit të Krumës në rrethin e Hasit, punën e tij e përballon me shumë vështirësi. Aktualisht, në të janë të shtruar 50 të sëmurë dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore mbi 20 mijë banorë të shpërngulur. Në spitalin e Krumës deri tani ka patur 30 lindje. Numri i të vdekurve në spitalin e Kukësit, ka arritur në njëzet e shtatë. Shumica e tyre kanë qenë të moshuar që nuk kanë mundur t'u përballojnë mundimit e lodhjes.

E premte, 7 maj 1999

Do të fillojë rehabilitimi i aksit rrugor Durrës-Kukës, bëhet e ditur nga Ministria e punëve publike. Të ardhurit e sotëm, tregojnë për praktikat fashiste që po përdorin ushtria, policia dhe paramilitarët serbë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Të rinjtë përdoren për të hapur llogore lufte, u merret gjak për ushtarët e tyre të plagosur në luftë, u dëmtohen organet gjenitale, femrat shqiptare përdhunohen etj. Nja 23 mijë të dëbuarit nga Kosova që janë të strehuar në familjet hasjane dhe kampet e ngritura në këtë rreth, janë në prag të katastrofës humanitare. Deri tani në këtë rreth, kanë mbërritur shumë pak ndihma ushqimore. Plotësohen aktualisht vetëm 40 % të nevojave të domosdoshme.

Është goditur fshati Perollaj në rrethin e Hasit, rreth 10 km në brendësi të kufirit. Njoftohet se gjatë luftimeve në Dobrunë, rreth orës 9,45 minuta, pranë kufirit me Kosovën,  janë vrarë dy ushtarë serbë. Një grup gazetarësh britanikë, ka rënë pre e plaçkitësve të armatosur në fshatin Kam të rrethit të Tropojës. Atyre u janë grabitur mjetet e punës dhe paratë që kanë patur me vete. Aeroporti i Kukësit, pritet të hapet nesër. Kjo pistë, e ndërtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të shërbejë për uljen avionëve të NATO-s dhe helikopterë të ndihmave. Është ngritur një kamp i improvizuar në këndin e lojërave në qytet, ku jetojnë më shumë se dy mijë banorë. Kushtet janë tepër të këqia.

Sot ka një fluks të madh të të dëbuarve, që futen në pikën e Morinit. Vetëm për dy orë, kanë mbërritur mbi 3 mijë veta. Sonte u dha një koncert artistik, me pjesëmarrjen e artistëve kuksianë e kosovarë. Për afro dy orë, këngëtarët Flutura Palushi, motrat Mustafa, Nuhi Elezi, Rrahman Pagarusha, Nexhmi Voka, Ymer Halili, Kudusi Muçmata, etj. mbajtën pezull më shumë se 20 mijë shikues, që kishim mbushur sheshin para pallatit të kulturës "Hasan Prishtina". Ne jemi popull i madh, një popull gjenerues e i pavdekshëm. Një populli që i vdes kënga, nuk ka më shpirt. Ndërsa ne e kemi këngën, pra kemi shpirtin e madh e pavdekësinë si tipar veçues nga popujt e tjerë.

Merret vesh se serbët kanë vrarë dje nënkryetarin e LDK-së, profesorin Fehmi Agani. Ndoshta është propogandë e armikut, siç veproi kohë më parë duke përhapur lajmin e vrasjes së Baton Haxhiut, Din Mehmetit, Teki Dervishit etj. Armiku, këtë e bën për të ulur moralin e shqiptarëve në momentet e tij më delikate. Nëse është e vërtetë humbja e profesor Fehmi Aganit, ky do të ishte një akt i rëndë i armikut, që ka humbur toruan.

Në kryeqytetin serb, zhvilloi një vizitë kryeminstri rus, Jevgeni Primakov. Ai u takua me autoritete jugosllave, mes të cilëve edhe me Slobodan Milosheviçin. Pas këtij takimi, thuhet se Jugosllavia do të pranojë trupa të OKB-së, por askush nuk beson.

E shtunë, 8 maj 1999

Presidenti italian, Oskar Luigji Skalfaro, ishte sot në Kukës. Ai shoqërohej nga presidenti, Rexhep Meidani dhe personalitete të tjera italiane dhe shqiptare. Delegacioni bëri një vizitë të shkurtër në Kampin italian 1 në Rexhepaj. Presidenti italian, përfitoi rastin në Kukës për të bërë thirrje edhe një herë për ndalimin e bombardimeve. Është i shkëlqyer përcaktimi i të madhit Indro Montaneli, publikuar në një intervistë në Tg1, ku thotë: Me krizën e Kosovës, Italia tregoi edhe një herë se nuk di të qëndrojë në një aleancë me të dy këmbët. Me një këmbë qëndron në aleancë, më këmbën tjetër në kampin armik.

Për vrasjen e profesor Fehmi Aganit, është prononcuar edhe ministri i jashtëm britanik, Robin Kuk. Ai shprehet, se ky akt është shembulli më i ri i brutalitetit dhe i krimeve për çfarë ne kemi ndërmarrë fushatën ushtarake, që do ta vazhdojmë derisa t'u jepet fund vrasjeve. Kryetari i Komisionit të jashtëm francez, Zhak Lang, ka takuar dje Ibrahim Rugovën në Romë. Personaliteti francez, është shprehur se Rugova është plotësisht dakord me qëndrimin e komunitetit evropian.

Gjermania, bën të ditur se mund të pranojë 10 mijë refugjatë kosovarë, ndërsa Holanda 4 mijë. Sot është dita botërore e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Kjo ditë, përkon me misionin e tij në Kukës. Gjatë kësaj periudhe të krizës, puna e Kryqit të Kuq është vendimtare dhe e pazëvendësueshme. Në komunën e Bicajve që ka 8.700 banorë, janë strehuar 9.402 të ardhur nga Kosova. Në komunën e Shtiqnit janë strehuar mbi 8 mijë persona, ndërsa 7.300 janë në komunën  e Tërthores e cila ka vetëm 3.500 banorë. Në Kukës, ndodhen 107 mijë banorë, ndërkohë që ritmi i transportimit të kosovarëve në rrethet e tjera është ulur dukshëm në krahasim ne disa ditë më parë.

Deri në orën 13, nga pikëkalimi i Morinit kanë ardhur në Kukës 3.600 persona. Sipas burimeve nga UNHCR-ja, ditëve në vazhdim do të ketë shumë të ardhur. Koha e keqe dhe me shi po ndikon për të mirë te banorët e shpërngulur në Kukës. Kjo kohë me re të dendura, nuk ka penguar NATO-n të vazhdojë bombardimet e objektivave strategjikë e ushtarakë në gjithë Jugosllavinë dhe në Kosovë. Mbrëmë është goditur ambasada kineze. Xhemi Shi, tha në konferencën e përditshme për shtyp, se kjo ishte rrjedhojë e devijimit të një predhe.

Prej ditës së djeshme, nuk punojnë në qytetin e Kukësit linjat e ndërlidhjes. Banorët që kanë shumë nevojë për të komunikuar me të afërmit e tyre, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë. Sipas inxhinierit të filialit të Telekomit të Kukësit, Lavdim Deda, defekti po riparohet dhe shpejt linjat do të jenë në funksion të plotë. Është e vërtetë vdekja e profesor Fehmi Aganit. Këtë e konfirmoi djali i tij, Shpendi, në një konferencë shtypi në Shkup. Është plotësisht e qartë, se armiku po synon eliminimin fizik të intelektualëve kosovarë. Ibrahim Rugova, nuk jep asnjë prononcim lidhur me vdekjen e bashkëpunëtorit më të ngushtë.

E diel, 9 maj 1999

Gjatë 24 orëve të kaluara, kaluan kufirin në pikën e Morinit 8.600 persona, kryesisht nga Peja, Mitrovica dhe Podujeva. Gjendja e tyre është e mjerueshme. Pothuajse të gjithë janë të traumatizuar dhe të rraskapitur nga rrugëtimi i gjatë e tepër i mundimshëm. Fluksi vazhdon me ritme të larta. Sipas Xhemil Shahut, përfaqësues i UNHCR-së, në magazina ka aktualisht 1057.7 tonë ushqime, e mjaftueshme për rreth dhjetë ditë. Sipas këtij burimi, është punuar mirë për furnizimin e popullsisë së shpërngulur me ushqime.

Që nga fillimi i krizës deri në ditën e sotme, kanë hyrë në Prefekturën e Kukësit 383 mijë shqiptarë të Kosovës, të dëbuar nga rregjimi fashist serb, ndërsa ritmi i transportit poshtë nuk i kalon tre mijë persona në ditë. Presidenti Rexhep Meidani, gjatë takimit që ka patur me ministrin e bashkëpunimit të Danimarkës, Nilsen, ka përsëritur protektoratin në Kosovë. Ndërkohë, gjatë një interviste në TV Klan, Sali Berisha, lider i opozitës, mbron veprimet e Ibrahim Rugovës.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi për vrasjen e profesor Fehmi Aganit, se humbëm një mendje të ndritur që punoi aq shumë për bashkimin tonë. Në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, sipas të dhënave të UNHCR-së janë 205 mijë shqiptarë të dëbuar, ndërsa qeveria e këtij vendi thotë se janë 250 mijë. Në Bon të Gjermanisë, Ibrahim Rugova, është takuar me të dërguarin e presidentit rus për konfliktin në Kosovë, Viktor Çërnomerdin dhe kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder. Sipas Agjencisë gjermane të lajmeve, gjatë këtyre takimeve Ibrahim Rugova mbështeti idenë e autonomisë së zgjeruar të Kosovës komanduar nga Serbia.

Në fushatën e spastrimit etnik, nuk janë kursyer edhe banorë të kombësive të tjera. Në Kukës, ka të dëbuar edhe të kombësive boshnjake, sllovene, gorane e jevgje. Qe tri ditë, është ndërprerë lidhja telefonike me rrethet e tjera dhe jashtë vendit. Kjo ka bërë që të dëbuarit të mos mund të merren vesh me njerëzit e tyre. Sipas drejtorit të filialit të Telekomit në Kukës, Ali Braha, defekti po riparohet dhe ndërlidhja do të funksionojë së shpejti.

Në ndihmë të lidhjes me familjarët dhe të afërmit e banorëve të shpërngulur, është edhe një qendër kompiuterike që është vënë në funksion në një nga mjediset e pallatit të kulturës "Hasan Prishtina". Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk e ka pritur mirë takimin e G-8 në Bon, ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar, Paskal Milo, kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të deklarohet saktë për protektoratin e Kosovës dhe ta vlerësojë UÇK-në të vendosur për luftën e saj të drejtë.

Është për t’u dënuar seriozisht shërbimi që po u bëjnë atyre që na duan të keqen nga gazetarët Mero Baze, Astrit Patozi, Musa Tartari e disa të tjerëve. Artikulli Rikthimi i Rugovës dhe shembja e iluzioneve marksiste i gazetarit Astrit Patozi botuar në gazetën RD më 7 maj, artikulli Karshillëku i fshehur i Tiranës ndaj Perëndimit i Mero Bazes, Zjarri i tradhtisë mbi UÇK-në i Musa Tartarit, botuar po në RD, udhëtojnë në të njëjtën vijë. Ata kanë marrë përsipër të denigrojnë luftën e lavdishme, që po bëjnë djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër ushtrisë serbe dhe, nga ana tjetër, sulmojnë përpjekjet e mëdha që po bën Qeveria e Pandeli Majkos për të përballuar krizën aktuale. Ema Bonino, komisionere e lartë për refugjatë e OKB-së, kritikon qeverinë maqedone për mbylljen përsëri të kufirit me Kosovën. Ajo këmbëngul se shteti maqedon nuk duhet të pengojë kosovarët të futen në Maqedoni.

E hënë, 10 maj 1999

Në fund të javës së ardhshme, pritet të vijë në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, i cili do të inspektojë gjendjen e refugjatëve në Shqipëri. Sipas të deleguarit të Ministrisë së rendit në Kukës, Bajram Ibra, janë rreth 1.200 traktorë të banorëve të shpërngulur në ambiente të hapura dhe disa drejtues automjetesh, që kanë patenta edhe shqiptare, edhe kosovare. Për të parandaluar aksidentet, ato duhet të bllokohen, por gjithnjë me shumë kujdes në mënyrë që të mos krijohen probleme sociale.

Deri në mbrëmje, janë futur nga pikëkalimi në Morin 7.500 veta, shumica nga Peja dhe Fushë-Kosova. Banorët e mbërritur janë shumë të lodhur nga rruga e gjatë dhe keqtrajtimet sistematike të forcave paramilitare serbe. Rendi në qytetin e Kukësit edhe pse me popullsi të pesëfishuar është në nivel të kënaqshëm, por shqetësim është fenomeni i vjedhjes së automjeteve dhe traktorëve të shqiptarëve nga Kosova.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë radios BBC, shpreh rezervat për paktin e G-8. Hashim Thaçi thotë, se në çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës duhet patjetër të përfshihet pavarësia e Kosovës, pasi për këtë qëllim është derdhur gjak. Në Kryqin e Kuq të Kukësit, po punohet mjaft mirë në shpërndjarjen e ndihmave humanitare për të shpërngulurit. Ky organizëm, që në fillim ka ngritur një staf dinamik dhe punon mbi bazën e një plani të përcaktuar.

Sipas radios BBC sot, Ibrahim Rugova është takuar me Papën në Vatikan. Gjatë një konference shtypi që Ibrahim Rugova dha me këtë rast, Konferencën e Rambujesë e ka cilësuar si eveniment pozitiv. Për problemin e forcave ndërkombëtare që do të vendosen në Kosovë, ai shprehet se krahas forcave të NATO-s, duhet të ketë edhe forca ruse.  Mbrëmë ushtria serbe ka sulmuar postën e Koshares në rrethin e Tropojës. Nga ky sulm ka dy persona të plagosur. Me artileri janë goditur edhe fshatrat Kamenicë, Padesh e Lugu i Zi. Në një intervistë, shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, shpreh qartë mbështetjen e tij ndaj kritikave që Ismail Kadare i bën Ibrahim Rugovës.

E martë, 11 maj 1999

Sot, kanë ardhur në Kukës, më pak se ditët e tjera banorë të shpërngulur. Janë rreth 250 veta, kryesisht nga Prizreni e Suhareka. Ata që erdhën sot, nuk janë të rraskapitur e në atë gjendje të mjerë sikur ata që erdhën dje. I pyetur nga një gazetë greke, për iniciativën e presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç, kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, tha se këto janë lëvizje dëshpëruese të tij. Ne jemi për plotësimin e pesë kushteve, që ka vënë NATO-ja, pasi ato janë siguri jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Gjatë një konference ndërkombëtare për rindërtimin e Ballkanit në Selanik të Greqisë, kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, e cilësoi krizën kosovare si tragjedinë më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Zhvillohen luftime të ashpra në rajonin e Junikut. Siç informohemi nga fronti i luftës, janë vrarë 34 ushtarë serbë. I ngarkuari rus për krizën kosovare, Viktor Çërnomerdin, do të takohet sot në Pekin me kryeministrin kinez lidhur me krizën në Kosovë. Po sot, nënsekretari amerikan i shtetit, Stet Talbot, shkon në Moskë për të biseduar për këtë çështje me zyrtarë rusë.

Okilio Oketo, ish-komunist italian, aktualisht kryetari i Komisionit të Jashtëm të Evropës, gjatë vizitës në Tiranë deklaron sot në TV Klan:  Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, nuk mund të jetë në asnjë rast palë biseduese për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Vendi i tij është Haga.  Kështu, Oketo deklarohet katërcipërisht kundër miqve të tij të vjetër komunistë, Bertinoti e Kosuta. Brenda këtyre tri ditëve, në Kukës kanë hyrë më shumë se njëzet mijë kosovarë të dëbuar me dhunë. Ndihma gjermane deri tani për shqiptarët e dëbuar, llogaritet afro 200 milionë marka.

E mërkurë, 12 maj 1999

Havier Solana, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, arriti sot në Tiranë. Ai është takuar me drejtues të shtetit shqiptar dhe ka biseduar për problemet e krizës kosovare. Gjatë takimit të përzemërt me kryeministrin, Pandeli Majko, Solana u shpreh i vendosur në misionin e NATO-s dhe la të kuptohet se së shpejti do të vihen në përdorim helikopterët luftarakë Apaç.

UÇK-ja po përparon me shpejtësi të madhe, duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha. Sot luftëtarët tanë rrëzuan një aeoroplan luftarak të ushtrisë jugosllave të markës "Mig". Janë vrarë shumë ushtarë armiq, ndërsa në spitalin e Bajram Currit kanë ardhur 25 ushtarë të plagosur, 16 prej të cilëve u dërguan në Tiranë, pasi gjendja e tyre ishte përkeqësuar. Një nga komandantët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, përgënjështroi deklaratat me burim serb se kinse UÇK-ja është shkatërruar. Haradinaj shprehet për një forcim gjithnjë e më të madh të ushtrisë tonë.

Në Kukës, u përurua faza e parë e ndërtimit të aeroportit civil që kushtoi 10 milionë dollarë. Në pistën e këtij aeroporti u ul avioni i parë i tipit C-130, me djalin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe në bord. Për ndërtimin e këtij areoporti, kontribuan 400 ushtarë nga ky vend dhe një staf i gjerë teknikësh dhe inxhinierësh. Tërmet politik në Rusi. Kryeministri, Jevgeni Primakov, është shkarkuar dhe në vend të tij është emëruar Steposhin. Sulmet e NATO-s kanë hyrë në ditën e 50-të. Objekt goditjeje janë urat dhe rafineritë e Beogradit, Nishit etj. Ritmi i të ardhurve ka rënë. Sot u futën vetëm 268 persona, ndërsa u transportuan për në rrethet e tjera 4.885 veta.

Një kontribut të madh gjatë krizës po jep mjeku i njohur ortoped-dermatolog, Shaqir Shehu, aktualisht shefi i repartit të traumatologjisë. Kontributi i tij i çmuar në ndihmë atyre që kanë nevojë, veçanërisht të ushtarëve është i pazëvendësueshëm. Problemet që ka reparti dhe përpjekjet që po bën stafi i tij për përballimin e volumit të madh të punës, sot i bëri të njohura mjeku Shaqir Shehu në një intervistë për Radio- Kukësin. Ndër të tjera ai shprehet: Vetvetiu këmbët na çojnë në drejtim të spitalit tek pacientët. Kemi harruar shtëpinë tonë dhe konceptin kohë. Nuk dimë kur është ditë, e kur është natë. Profesioni i mjekut i ka këto. Ne duhet të jemi në sherbim të njerëzve kur ato janë në pozitën më të vështirë.

E enjte, 13 maj 1999

Vërehen shenjat e para të tërheqjes së trupave ushtarake jugosllave nga Kosova. Sipas agjencisë franceze AFP, janë tërhequr 250 trupat e para ushtarako-policore nga Kosova. Presidenti rus, Boris Jelcin dhe ai francez Zhak Shirak, janë takuar sot kokë më kokë në Kremlin dhe kanë diskutuar për situatën aktuale të konfliktit në Kosovë. Nuk është bërë ende e njohur se çfarë kanë biseduar, por dihet se presidenti francez, Zhak Shirak, do të takohet edhe me negociatorin rus për çështje të Kosovës, Viktor Çërnomërdin.

Përmes një rezolute, Parlamenti shqiptar ka njohur Qeverinë e Kosovës dhe e mbështet atë me të gjitha forcat. Gazetës Albania i vjen shumë keq për një njohje të tillë dhe kundërpërgjigjet me një artikull aspak dinjitoz me titull Parlamenti përçan Kosovën. Kjo gazetë, përmes këtij artikulli, thotë se UÇK-ja financohet nga terroristi, Bin Laden. Gënjeshtër me bisht! Akt qëllimkeq dhe antikombëtar! Çfarë shërbimi për mullirin tjetër! Ky artikull është në një linjë me disa artikuj të tjerë në gazetën RD, të cilët duket qartë se kujt i shërbejnë në këto momente të vështira. Dhëntë zoti, e paçim sa më pak gazeta dhe artikullshkrues të kësaj natyre!

Njoftime nga fronti, konfirmojnë se kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në mesin e luftëtarëve në Rrafshin e Dukagjinit. Sigurisht, prania e tij është një ngritje morali për luftëtarët e lirisë që janë në sulm. Njëzet predha ranë mbrëmë në fshatin Padesh të rrethit të Tropojës. Njoftohemi se janë dëmtuar shumë shtëpi të banorëve të fshatrave në buzë të kufirit me Kosovën.

Kapaciteti i ujësjellësit që furnizon qytetin e Kukësit, nuk është i mjaftueshëm. Sipas drejtorit të ujësjellësit, Jashar Çiku, qyteti ka 4.800 rubineta, ndërkohë që depoja e fshatit Shtiqën që furnizon qytetin e Kukësit, ka dy mijë metra kub ujë. Kësaj i shtohen edhe çezmet publike, që ne kemi hapur në qytet dhe në kampe. Në çdo kamp shpenzohen mbi 700 metra kub ujë në ditë. Prandaj, shtrohet domosdoshmëria e administrimit të ujit të pijshëm.  

Edhe pse në gjendje të rëndë, në Kukës nuk mungojnë veprimtaritë kulturore dhe sportive. Sot shkolla e mesme Havzi Nela e qytetit të Kukësit, organizoi krosin masiv me moton Për Kosovën martire, për paqen.

Ngrihet ritmi i transportit të banorëve të shpërngulur për në rrethet e tjera. Sipas zëdhënësit të Prefekturës, shkojnë në rrethet e tjera katër deri pesë mijë persona në ditë. Sipas të dërguarit të posaçëm të kryeministrit Pandeli Majko në Kukës, zotit Vladimir Shehu, pritet të vijnë në Kukës këto ditë edhe 50 mijë të dëbuar të tjerë. Nga pikëkalimi në Morin, sot ka patur rreth 4 mijë të ardhur dhe shumica  ka kaluar natën nën qiell të hapur. Sipas radios BBC, Ibrahim Rugova, deklaron në Bon të Gjermanisë se nuk ka hequr dorë nga ideja e pavarësisë së Kosovës dhe se problemi kryesor sot është kthimi i shqiptarëve në vendin e tyre. Ky qëndrim konsiderohet si një kthesë pozitive pas gjithë atyre manovrave politike që  kanë ulur shumë reputacionin e tij politik pavarësisht rrethanave. Sipas Komisariatit të lartë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara, që nga fillimi i konfliktit janë dëbuar nga Kosova 905 mijë veta.

E premte, 14 maj 1999

Kombet e Bashkuara, po planifikojnë të dërgojnë në Jugosllavi një mision humanitar për herë të parë që kur sulmet ajrore të NATO-s kanë filluar kundër këtij vendi. Pesëmbëdhjetë përfaqësuesit e misionit, do të shoqërohen nga policia jugosllave, në atë që Kombet e Bashkuara e quajnë udhëtim eksplorues 12- ditor që do të përfshijë edhe vizita në Kosovë.

Kryeqyteti i Jugosllavisë së mbetur, Beogradi, është pa energji elektrike. Po kështu, edhe qytetet Nish e Novi-Sad. Është goditur edhe ura që lidh Beogradin me Vojvodinën. Gjatë natës, NATO-ja, ka kryer 679 inkursione, numri më i madh i tyre që nga fillimi i sulmit. Sipas njoftimeve nga Kosova, bëhet e ditur se për shkak të një bombardimi është shkaktuar tragjedi e madhe në fshatin Korishë të Prizrenit. Ka njoftime për më shumë se njëqind viktima. Dje, ambasadori kinez në SHBA, ka takuar presidentin amerikan, Bill Klinton, akt që tregon përmirësimin e marrëdhënieve pas goditjes së ambasadës kineze në Beograd.

Ibrahim Rugova, ka mbërritur dje në Londër. Pritet të takohet me kryeministrin britanik, Toni Bler dhe ministrin e Jashtëm, Robin Kuk, të cilët garantojnë sulm të vendosur të NATO-s dhe kthim të kosovarëve në shtëpitë e tyre.. Hilari Klinton, ka mbërritur në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë për të vizituar të shpërngulurit shqiptarë me dhunë nga Kosova. Zonja e parë amerikane vizitoi kampin e refugjatëve në Stankovec. Komisioni Evropian, i akordoi dje Shqipërisë 52 milionë euro nga 200 milionë që kishte kërkuar Qeveria shqiptare për të përballuar krizën nga konflikti në Kosovë. Arbër Xhaferi dhe Abdurrahman Haliti, politikanë shqiptarë të Maqedonisë kanë mbërritur sot në Tiranë. Të dy politikanët janë shprehur për një Rambuje të dytë në Tiranë nën drejtimin e presidentit, Rexhep Meidani.

Që nga fillimi, në Prefekturën e Kukësit kanë hyrë 403.238 persona, ndërsa për në rrethet e tjera janë transportuar rreth 300 mijë veta. As dje dhe as sot, nuk ka patur të ardhur nga pikëkalimi në Morin dhe në Qafë të Prushit. Burime nga UNHCR-ja, bëjnë të ditur, se që nga fillimi i luftimeve janë dëbuar 910.379 veta. Aktualisht, në Shqipëri ka 432.800 shqiptarë të dëbuar, në ish-Rrepublikën jugosllave të Maqedonisë 231 mijë, në Mal të Zi  53.500, në Bosnjë 18.500, në Sanxhak mbi 21 mijë, në Turqi 15 mijë dhe në Kroaci 6 mijë shqiptarë. I madh është numri i shqiptarëve nga Kosova që gjatë kësaj periudhe të vështirë kanë shkuar në vende e tjera të Evropës e në Amerikë. Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Mariza Lino, i lë lamtumirën Shqipërisë për t'u zëvendësuar nga një tjetër ambasador. Ambasadorja Lino, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm e domethënës në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

E shtunë, 15 maj 1999

Qe një jave, në Kampin italian 1 në Rexhepaj, ndodhen pesë fëmijë të familjes Zhabeta të fshatit Kërrnicë të Klinës që i kanë mbijetuar masakrës çnjerëzore të pushtuesit serb të dhjetë ditëve më parë, kryer nga barbarët serbë në këtë fshat. Ka tri ditë që në Morin nuk futet asnjë i dëbuar, por nuk dihet se ç'fat ka karvani me 20 mijë njerëz, që ndodhet në afërsi të qytetit të Shtimes, sipas dëshmitarëve të ardhur në Kukës. Banorët e dëbuar thonë se ato po përdoren si mburojë e gjallë nga ushtria serbe. NATO-ja ka bombarduar në fshatin Zhur, shumë pranë pikëkalimit të Morinit në Pashtrik dhe në afërsi të Qafës së Prushit në rrethin e Hasit.

Dje ushtria serbe, ka bërë masakër në popullsinë e fshatit Krushë e Madhe të Prizrenit. Informacionet pohojnë se atje ka mbi njëqind të vrarë, të gjithë shqiptarë të moshave të ndryshme nga fëmijë të mitur deri te pleqtë. Xhemi Shi, në konferencën e zakonëshme për shtyp, tha se pamjet që ka transmetuar televizioni serb për dhunimin dhe vrasjet në këtë fshat, tregojnë për një shkatërrim nga zjarri i artilerisë tokësore. Komisariati i lartë për refugjatë, ka njoftuar për një stabilizim të gjendjes ditët e fundit dhe ka pranuar se ajo vazhdon të jetë e rëndë në Kukës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Shqipëri dhe Maqedoni për të parë nga afër gjendjen e refugjatëve, që janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre.

Problem i madh është ndarja e familjeve, burrit nga gruaja, fëmijës nga nëna, djalit nga babai e nëna etj. Ka mbi 170 raste të tilla në Kukës, ku pjesëtarët e familjeve nuk gjejnë dot njëri-tjetrin dhe është shumë vështirë të arrihet bashkimi. Në Kukës ka rreth dyzet pleq, të cilët janë të vetmuar. Ngaqë askush nuk u ka dalë zot, nga shoqatat joqeveritare dhe Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, janë vendosur në një dhomë të madhe të spitalit të Kukësit. Gjithashtu, janë deri tani dyzet fëmijë, që kanë mbërritur pa shoqërimin e prindërve në qytetin tonë.

E diel, 16 maj 1999

Deri sot, kanë hyrë në Prefekturën e Kukësit 408.264 shqiptarë nga Kosova të dëbuar me forcë nga trojet e tyre dhe janë evakuuar për në rrethet e tjera 312.504 veta. Në rrethin e Hasit, ndodhen 18 fëmijë jetimë nga Kosova. Ata janë nga 3 muaj deri në 11 vjeç dhe kanë ardhur kryesisht nga Drenica dhe rrethina e Gjakovës. Në Kukës, janë 97 mijë banorë të shpërngulur nga Kosova. Duhet theksuar se është dita e parë që në Kukës numri i kosovarëve zbret 100 mijë që nga fillimi i konfliktit. Mirëpo, ulja e numrit të banorëve të dëbuar nuk lehtëson aspak familjet kuksiane, sepse nuk është ulur numri i familjeve kosovare të vendosura në shtëpitë e tyre, por e atyre banorëve që kanë kaluar netët nën qiell të hapur.

Është goditur përsëri transmetuesi televiziv i TVSH-së në Qafë të Prushit të rrethit të Hasit, por fatmirësisht nuk është dëmtuar. Po shqyrtohen masat për ta tërhequr atë përkohësisht, pasi është hera e dytë që artileria e ushtrisë serbe tenton ta rrënojë atë. Në emisionin e Bruno Vespës, Porta a porta në Rai Uno, Edi Rama, ka patur një polemikë të shkëlqyer me politikanët italianë. Ai me guxim e dinjitet ka mbrojtur luftën e drejtë që po zhvillohet, ka përkrahur me argumente të drejtat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. M’u duk se politikani komunist, Kosuta, antishqiptar i dëshmuar, u gjend tepër keq përpara argumenteve të Edi Ramës. 

Mbrëmë në orën 1, 30 minuta, në fshatin Mamëz është tentuar të grabitet një familje kosovare. Njëri prej pjesëtarëve të familjes kosovare është plagosur nga keqbërësit. Është për të vënë në dukje se raste të kësaj natyre janë shumë të rralla. Rreth orës 10 sot në tregun e qytetit, është vrarë nga persona ende të paidentifikuar shtetasi Kujdesi Qazim Pepkola, 20 vjeç, nga fshati Shtanë. Motivet e vrasjes së tij janë ende të paqarta. Sipas radio BBC, ushtarakët e lartë amerikanë thonë se vetëm me bombardime nuk mund ta arrihet suksesi i kërkuar. Duket se dilema amerikane për futjen e trupave tokësore në Kosovë po merr fund. Presidenti maqedonas, Kiro Gligorov, deklaroi se një Kosovë e pavarur kërcënon Maqedoninë dhe vendet e rajonit. Në një intervistë që Ibrahim Rugova u jep mediave gjermane deklaron, se nuk e njeh Qeverinë e përkohshme të Kosovës nën drejtimin e Hashim Thaçit.

E hënë, 17 maj 1999

Që nga dita e parë kur vëllezërit tanë nga Kosova, u dëbuan me forcë në Shqipëri dhe vende të tjera, në Kukës kanë vdekur 107 persona. Të gjithë janë varrosur në Kukës dhe për sherbimin funeral është kujdesur Bashkia e qytetit të Kukësit, e cila ka ngritur një grup që merret me sherbimet funerale. Vdekjet, kryesisht janë natyrore dhe të moshës mbi 60-vjeçare. Pentagoni, paralajmëroi mbrëmë presidentin amerikan, Bill Klinton, se pa ndërhyrjen e trupave tokësore nuk mund të ndalet spastrimi etnik, andaj kërkohet të zbatohet urgjentësisht plani i ndërhyrjes që do të siguronte fitoren. Ka arritur në Beograd një ekip i Kombeve të Bashkuara me qëllim të studimit të gjendjes në Kosovë. Ekipi, ka mision dërgimin e ndihmave humanitare. Sot, ky ekip do të takohet me autoritetet shtetërore jugosllave. Nga më shumë se 130 mijë banorët që janë në Kukës, vetëm 20 për qind e tyre janë në kampe, ndërsa 60 për qind janë në familjet e vendasve. E kalojnë natën nën qiell të hapur afro 20 për qind të tjerë. Llogaritet se që nga fillimi i krizës, kanë mbërritur në Itali më shumë se 50 mijë kosovarë, kryesisht përmes detit. Të dëbuarit nga trojet e tyre për të siguruar një vend në gomone japin deri në 8 mijë marka. Kryeministri Pandeli Majko, ka deklaruar: Shqipëria mund të presë më shumë se një milion kosovarë. Nëse është e nevojshme, presim gjithë shqiptarët e Kosovës. Në rrethin e Hasit, veprojnë Kryqi i Kuq i Gjenevës dhe shoqata joqeveritare Koncern që ndihmon 23 mijë të dëbuar që janë të strehuar në familjet hasjane. 

E martë, 18 maj 1999

Sipas përfaqësuesit të UNHCR-së në Kukës, deri sot në Prefekturën e Kukësit ka 146 mijë banorë kosovarë të shpërngulur, nga këta 22 mijë në qendra kolektive, 32 mijë në kampe, 44 mijë nëpër familje në qytetin e Kukësit, 26 mijë në komuna, 15 mijë në rrethin e Hasit dhe 2.500 në rrethin e Tropojës. Aksionet e avionëve luftarakë të NATO-s, kanë goditur autostradën Beograd-Nish dhe kanë bllokuar qarkullimin në këta aks. Kryeministri britanik, Toni Bler, vizitoi vendin tonë. Ai ishte në qytetin e Elbasanit, ku u takua me shqiptarë të shpërngulur në një kamp në këtë qytet. Toni Bler deklaroi, se Milosheviçi dhe politika e tij i përkasin së kaluarës, kurse ne jemi e ardhmja. Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, iu drejtua kryeministrit britanik, se sot ne e kemi merituar të jemi përkrah jush dhe vlerave që ju po mbroni. Agjenda e kryeministrit, Toni Bler, përmban edhe takime pune me presidentin, Rexhep Meidani, dhe drejtues të tjerë të shtetit shqiptar.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Havier Solana, i dërgoi një letër presidentit Rexhep Meidani, në të cilën shprehet mbështetja e vendosur për të tejkaluar situatën e vështirë në Shqipëri me rastin e konfliktit në Kosovë. Në një intervistë dhënë gazetës Times, ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, shprehet se së paku deri tani kemi mbi 80 dëshmi ku serbët kanë përdorur shqiptarët si mburoja të gjalla. Xhemi Shi, zëdhënës i NATO-s në Bruksel në konferencën e tij të përditshme u shpreh, se 70 për qind e ushtrisë jugosllave është shkatërruar plotësisht, ndërsa Ushtria Çlirimtare është në ofensivë. Sipas burimeve nga fronti, në Llap ka mbi 30 ushtarë serbë të vrarë.

Gjatë pesë ditëve, në pikëkalimi e Morinit, kanë hyrë vetëm 50 persona. Ulja në mënyrë të ndjeshme e numrit të banorëve të dëbuar, u ka dhënë kohë shtetit shqiptar dhe asociacioneve ndërkombëtare për të organizuar sa më mirë punën në ndihmë të banorëve që janë të vendosur në Prefekturën e Kukësit.  UNHCR-ja, po inspekton rajonin e Pukës lidhur me mundësinë e vendosjes së një pjese të refugjatëve në këtë rreth. Gjithashtu, po kjo organizatë vuri në veprim helikopterët për transportin e banorëve të shpërngulur në drejtim të rretheve të tjera. Sot, erdhën në Kukës nga Morini vetëm 19 persona. Nga bombardimet e djeshme në Dobrunë të rrethit të Hasit, janë dëmtuar tri shtëpi, ndërsa në fshatin Letaj dy shtëpi.

E mërkurë, 19 maj 1999

Me gjithë këtë tragjedi kombëtare, muza e ngulitur thellë në shpirtin shqiptar nuk ka vdekur, përkundrazi është zgjuar edhe më shumë. Sot kisha të ftuar në studio të Radio-Kukësit dy vëllezër këngëtarë, Mirhat dhe Riad Lecaj. Po sot atyre, u bëmë edhe një kasetë me krijimet e tyre të kohëve të fundit. Në shumë qytete serbe, kanë filluar protestat kundër Slobodan Millosheviçit, si në Krushevc, Aleksandrovc etj. Protestuesit kërkojnë ndalimin  e luftës serbe në Kosovë.

Sot në Kukës, ka patur mysafirë krejt të befasishëm. Një helikopter me ushtarakë rusë ka kërkuar të takohet me komandën e Divizionit ushtarak të Kukësit. Helikopteri ka ardhur nga territori i Kosovës. Gjenerali Kudusi Lame, komandanti i Divizionit ushtarak të Kukësit i ka pritur më shumë për këshëri mbrojtësit më të vendusur të serbëve. Sipas burimeve të informimit nga brenda, gjeneral Kudusi Lame, u ka kërkuar atyre qëllimin e ardhjes. Mes të tjerave, ushtarakët rusë, kanë kërkuar të inspektojnë repartet tona ushtarake. Lame nuk ka pranuar në asnjë mënyrë dhe u ka kërkuar atyre që pa humbur kohë të largohen nga Kukësi. Helikopteri me gjithë misionarët ushtarakë rusë, është larguar nga territori ynë rreth mesditës.

Njoftohet nga nga burime të sigurta, se Kosharja, është në duart e luftëtarëve të lirisë. Ky akt i lartë heroik, dëshmon qartë vendosmërinë për të fituar luftën. Dje në konferencën e zakonshme të shtypit, Xhemi Shi, zëdhënës i NATO-s tha, se nuk duam të hedhim asnjë bombë më shumë sesa është e nevojshme. Sapo të zbatojë Milosheviçi pesë pikat që ka përcaktuar NATO-ja, ne do të ndalim sulmet tona. Në Kukës, ka mbi 40 shoqata humanitare. Krahas ndihmës që ato po japin, kanë punësuar edhe mjaft banorë të Kukësit. Janë mbi 100 banorë që punojnë në këto shoqata dhe paga e tyre është nga 200 deri në 400 dollarë. Në kampin e Bashkisë, janë mbi 2.200 banorë të shpërngulur. Sipas përgjegjësit të këtij kampi, Besim Gjana, nuk mungon asgjë përsa i përket ushqimit, por mungon kujdesi përkatës shëndetësor në këtë kamp, andaj   banorët janë të detyruar të kërkojnë gjetkë shërbim mjekësor. 

Në rrethin e Hasit, janë mbyllur shtatë shkolla, për shkak të zhvendosjes së banorëve të fshatrave buzë të kufirit më në thellësi. Fëmijët vazhdojnë shkollën në fshatrat ku janë vendosur. Që nga fillimi i krizës e deri sot, sipas informacionit të zëdhënësit të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë, kanë lëvizur për në rrethet e tjera 318.144 banorë kosovarë me 17.343 mjete transporti. Përkujtohet sot, vrasja e Komandant Bardhit. Ky komandant i shquar, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mobilizimin e UÇK-së dhe me bëmat e tij do të mbetet përjetë na altarin e shenjtë të kombit si simbol i frymëzimit për patriotët e vërtetë. Ushtria jugosllave po dezerton masivisht. Kështu në fletushkat që mbrëmë janë hedhur nga avionët e NATO-s, thuhet se shifra e dezertorëve nga ushtria agresore është 13 mijë ushtarë. Gjithashtu NATO-ja, përmes këtyre fletushkave, u kërkon ushtarëve serbë të lëshojnë sa më shpejt Kosovën.

E enjte, 20 maj 1999

Sot në Kukës, bëri një vizitë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Ai u takua me drejtues të Prefekturës e të pushtetit lokal dhe me banorë të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. Kofi Anan, deklaroi se kësaj tragjedie do t'i jepet fund shumë shpejt dhe ngjarjet e kësaj natyre janë mësim për gjithë shoqërinë njerzore. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të mos ndodhur tragjedi të këtilla. Pesëdhjetë shqiptarë të moshës deri në 30 vjet, mbahen peng nga forcat e ushtrisë serbe në fshatin Krajkovë të Gllogovcit, bën të ditur agjencia Kosova press. Të rinjtë janë njëzetvjeçar dhe detyrohen të bëjnë punë të ndryshme. Gjithashtu, sipas këtij burimi, po dëbohet nga shtëpitë popullata e Drenicës.

Dje, kaluan pikën e Morinit në drejtim të qytetit të Kukësit, vetëm katër veta. Një nga ta, Agron Shehu, nga qyteti i Gjakovës dëshmoi se në qytetin e tij jeta është e pamundshme dhe çdo banor atje po përjeton çaste terrori të paparë. Ai shtoi, se gjatë rrugës i kanë rrahur dhe keqtrajtuar mizorisht. Përgjatë brezit të kufirit të dhunshëm shqiptaro-shqiptar, kanë ndodhur më shumë se gjashtëdhjetë incidente ushtarake që nga fillimi i konfliktit. Janë rreth shtatë mijë banorë të fshatrave në rrethet Has e Tropojë që kanë lëvizur në fshatrat më në thellësi. Banorët kosovarë në Kukës, nuk duan të lëvizin për në rrethet e tjera. Janë shtuar shpresat, se rikthimi është i afërt. Mirëpo, UNHCR-ja, shprehet se evakuuimi është i domosdoshëm, pasi Kukësi përbën një rajon të rrezikshëm ngaqë ndodhet pranë zonës së luftës.

Drejtorët politikë të G-8-ës, përfunduan takimin pas 11 orë bisedimesh. Ata, u larguan sot pas arritjes së përparimeve në drejtim të hartimit të një projetkrezolute që i drejtohet Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Ky takim, do të pasohet nga një takim tjetër i afërt.

Në një intervistë për gazetën The times, kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilëson UÇK-në si koleksion bandash rivale. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre, i kërkon Ibrahim Rugovës të vijë në Tiranë. Ndër tjera, kryeministri Hashim Thaçi shkruan: Duke u bazuar në gjendjen e rëndë të luftës në Kosovë, duke parë të nevojshme dhe urgjente përgjegjësinë e participimin e partisë suaj në Qeverinë e përkohshme të Kosovës, në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë, ju bëj thirrje që urgjentsisht të takohemi për konkretizimin dhe finalizimin e saj. Është koha e fundit, që kosovarët të flasin me zërin e realitetit të ri të krijuar në Kosovë...

Sot në qytetin e Kukësit, ka ardhur një grup artistësh të njohur nga kryeqyteti ynë Tirana. Grupi, në përbërjen e të cilit janë pianistja e njohur, Nora Çashku, këngëtari, Hysni Zela etj., mban emrin shumë domethënës Shpresa. Artistët nga Tirana në bashkëpunim me artistët nga Kosova që ndodhen në Kukës, si motrat Mustafa, aktori gjakovar Nimon Muçaj etj., dhanë një koncert pasdite në sheshin "Skënderbej" të qytetit të Kukësit.

E premte, 21 maj 1999

Komisioni evropian, nënshkroi memorandumin financiar për ndihmë buxhetore Shqipërisë, në shumë 20 milionë euro në formën e kredisë. Në një letër dërguar ministrit shqiptar të Financave, Anastas Angjeli, anëtari i Komisionit Evropian, Hans van der Bruk, njoftoi se kjo ndihmë synon mbështetjen e programit qeveritar shqiptar të reformës në vend dhe ndihma për kushtet e reja të krijuara nga lufta. Vlera e kredisë do të jetë 62 milionë euro që do të jepet deri në fund të vitit.

Sekretarja e shtetit amerikan, Medlin Olbrajt dhe ministri i Jashtëm britanik Robin Kuk, zhvillojnë bisedime në Uashington për konfliktin në Kosovë. Ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, bëri thirrje për ngritjen e një forcë ushtarake ndërkombëtare në Ballkan. Sipas radios Zëri i Amerikës, presidenti amerikan Bill Klinton, ka miratuar një shumë tepër të madhe prej 15 miliardë dollarësh për vazhdimin e operacioneve ushtarake të NATO-s mbi Jugosllavinë. Kanë filluar mbrëmë në Moskë bisedimet amerikano-ruso-findlandeze për krizën në Kosovë. Këto bisedime kanë përfunduar pas gjashtë orësh debat në tentativë për të gjetur një rrugë të zgjidhjes së konfliktit. Të tre përfaqësuesit, u larguan pa bërë asnjë koment, duke bërë të qartë se bisedimet do të vazhdojnë të mërkurën e ardhshme. Ne kërkojmë një zgjidhje dhe do ta gjejmë atë, - shprehet Viktor Çërnomerdin, gjatë pushimeve të këtij takimi.

Kryetari i Partisë Republikane Shqiptare, Fatmir Mediu, në një intervistë dhënë TV Arbëria, dënon intervistën e Ibrahim Rugovës, dhënë në shtypin gjerman. Sipas liderit republikan Fatmir Mediu, Ibrahim Rugova, ka mohuar mirëkuptimin e faktorit politik të delegacionit kosovar në Rambuje dhe ,mjerisht, ende njeh si palë biseduese kriminelin Slobodan Milosheviç për zgjidhjen e problemit kosovar. Gjatë një konference shtypi në Tiranë kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, deklaron se Kosova patjetër pas konfliktit duhet të jetë jashtë Jugosllavisë. Ndryshe, lufta në Ballkan kurrë nuk do të pushojë. Hashim Thaçi, gjatë kësaj konference, ftoi Ibrahim Rugovën për bisedime në Tiranë.

Luftëtarët e UÇK-së, kanë çliruar fshatin Shqiponjë afër Pejës, - tha zëdhënësi i Pentagonit, Kened Bejkën. Bëhet e ditur nga terreni se gjatë përleshjeve luftëtarët e UÇK-së kanë vrarë 13 ushtarë të ushtrisë agresore dhe një mercenar rus. Mbrëmë, nga luftëtarët e lirisë, u çlirua edhe fshati Mulliq. Fshati Dobrunë në rrethin e Hasit, është braktisur nga banorët. Atje janë vetëm burrat që u përgjigjen sulmeve të ushtrisë serbe. Nuk është vetëm ky fshat që është evakuuar, por janë pothuajse të gjithë fshatrat e rretheve Has e Tropojë në afërsi të kufirit me Kosovën. Banorët jetojnë te të afërmit e tyre në fshatrat më në brendësi. Deri tani, nuk është interesuar askush për gjendjen e këtyre familjeve.

Ka më shumë se një javë që nga pikëkalimi në Morin, nuk ka kolona me shqiptarë të dëbuar që vijnë në drejtim të Kukësit. Gjatë kësaj periudhe, kanë kaluar këtë pikë vetëm 60 persona, ndërsa sot erdhën vetëm 4 veta. Sipas Shtabit të mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit, aktualisht në qytetin e Kukësit, ka 87 mijë banorë të shpërngulur. E veçanta e këtyre ditëve, është stabilizimi i dukshëm i situatës dhe rregullsia në shpërndarjen e ndihmave ushqimore.

Ka arritur në 18 mijë, numri i banorëve të shpërngulur nga fshatrat kufitare të rretheve Has e Tropojë, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të artilerisë së ushtrisë jugosllave. Ata janë strehuar në fshatrat më në brendi, - pohoi prefekti i Kukësit, Qemal Elezi. Kështu, kemi dy lloj të dëbuarish, por për këta të fundit deri tani nuk ka asnjë ndihmë.

Në qytetin e Kukësit, kanë vdekur 112 shqiptarë të dëbuar nga Kosova.  Për kryerjen e sherbimit të varrimeve është ngarkuar Bashkia e qytetit të Kukësit. Në Kukës, ka 14 qendra të shërbimit shëndetësor. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Gani Gashi, këto qendra, në të cilat punojmë mjekë shqiptarë dhe të huaj, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të mbi njëqind mijë banorëve. UNICEF-i në Kukës po bën një punë mjaft të mirë për trajtimin psikologjik të fëmijëve të traumatizuar nga lufta. Aktualisht, trajtohen mbi një mijë fëmijë çdo ditë përmes një programi katërorësh.

E shtunë, 22 maj 1999

Uiliam Uokër, sot bën një vizitë në Kukës. Drejtuesi i Misionit të Verifikimit në Kosovë, i cili ngriti zërin për masakrat që ushtria dhe shteti serb ushtronin në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë, ka mbërritur në qytetin tonë dhe është takuar me banorë kosovarë në kampe. Në mesin e mijëra vetave që e pritën, Uiliam Uokër, u shpreh se është e shpejtë dita e kthimit në shtëpitë tuaja në liri, ndërsa përfaqësuesi i banorëve të shpërngulur, Rrahim Ymeri, i shprehu kryesuesit të misionit verifikues mirënjohjen me fjalët:  Brezat tanë nuk do të harrojnë kurrë meritën tuaj.

Sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Olbrajt, i dërgoi një mesazh kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko, në të cilin e falënderon Qeverinë shqiptare për mbështjetjen që i ka dhënë NATO-s gjatë sulmit mbi Jugosllavinë. Sipas radios Zëri i Amerikës, në gazetën me shumë autoritet New Jork time, është botuar një artikull i presidentit amerikan Bill Klinton, ku trajtohen gjerësisht problemet e konfliktit në Kosovë. Presidenti amerikan, Bill Klinton, ngre lart rolin vendimtar të UÇK-së, duke përcaktuar atë si forcë ushtarake të suksesshme kundër ushtrisë agresore të Milosheviçit.

Sot në Tiranë, takohen kryeministri shqiptar, Pandeli Majko dhe kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë këtij takimi, nga dy politikanët e rinj shqiptarë me mendje të kthjellët, propozohet ideja e një Këshilli Kombëtar Sigurimi. Ndërkohë, Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka propozuar përsëri Ibrahim Rugovës një takim në Tiranë.

Sot, filloi hyrja në pikëkalimin e kufirit e të burgosurve të Vushtrisë. Në mesditën e sotme, ishin mbi 500 burra që mbërritën në Kukës totalisht të sfilitur. Pamja e tyre mund të krahasohet vetëm me të internuarit e kampeve të përqendimit të kohës naziste. Serbët, kanë filluar spastrimin etnik të Kosovës shumë kohë më përpara sulmeve të NATO-s, - thuhet në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit për dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit të kryera mbi shqiptarët e Kosovës.

Spitali i qytetit të Bajram Currit, është shndërruar në një qendër që kuron luftëtatarët e UÇK-së që vijnë të plagosur nga lufta në front. Kështu, i gjithë stafi i palodhur i këtij spitali, po kryen një akt të lartë patriotik. Kapaciteti i tij prej 120 shtretërish, është i mbushur plotësisht. Sipas mjekut kirurg, Sokol Sula, medikamentet janë të pamjaftueshme dhe është domosdoshmëri sjellja e një mjeku specialist reminator. Po kështu, u shpreh edhe kirurgu tjetër i po këtij spitali, Rasim Madani. Ai u shpreh për mungesë të theksuar medikamentesh dhe sugjeroi që shoqatat humanitare të ndihmojnë në këtë drejtim spitalin e qytetit të Bajram Currit.

E diel, 23 maj 1999

Sipas informacionit të marrë nga UNHCR-ja, deri tani janë shpërngulur 917.972 kosovarë. Në Shqipëri, ka 434 mijë banorë të shpërngulur në ish- Republikën jugosllave të Maqedonisë 225 mijë, në Mal të Zi 64 mijë, në Bosnjë 20 mijë, 22 mijë janë në Sanxhak, në Turqi mbi 16 mijë etj. Sipas drejtorit të spitalit të Kukësit, Bajram Cena, 80 për qind e të shtruarve në spital janë nga Kosova. Sot nga 238 të shtruar, 200 janë nga Kosova. Drejtori i spitalit kërkon medikamente, pasi mungojnë. Deri tani, ky spital i ka borxh shtetit ngaqë janë blerë barna shumë më tepër se planifikimi.

Takohen lideri i PD-së, Sali Berisha, me kryeministrin e Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndër të tjera, Sali Berisha gjatë takimit u shpreh, se mbështesim luftën e UÇK-së, por nuk e njohim Hashim Thaçin si kryeministër. Vjen për vizitë pune në Tiranë ministri i Mbrojtjes gjermane, Rudolf Sharping. Në takimet që ai pati me drejtuesit e Qeverisë shqiptare, e cilësoi kriminel, liderin jugosllav Slobodan Milosheviç. Ministri i Mbrojtjes gjermane, Sharping, u shpreh për një Ballkan demokratik pa Slobodan Milosheviçin.

Ministri i Jashtëm, Paskal Milo, shkoi në Romë në përpjekje për të sjellë Ibrahim Rugovën në Shqipëri. Ky akt, shënon përpjekjet e diplomacisë dhe të politikës shqiptare për të afruar dy protagondistët e politikës kosovare. Është jetike të bëhet një veprim i tillë. Një intervistë TV Klan i bëri gazetarit Baton Haxhiu, kryeredaktor i gazetës Koha ditore. Ai, Ibrahim Rugovën e cilëson si një politikan të lig, i cili në asnjë mënyrë nuk duhej të takohej me Slobodan Milosheviçin. Publicisti Baton Haxhiu, vlerëson UÇK-në dhe, Hashim Thaçin si Kryeministër të Qeverisë se Përkohshme të Kosovës e konsideron  plotësisht legjitim.

Deri mbrëmë vonë, kaluan kufirin 685 pesona, të gjithë të burgosur. Siç duket janë banorët e fundit të Kosovës që po dëbohen nga trojet e tyre. Numri i përgjithshëm i të shpërngulurve që kanë hyrë në Prefekturën e Kukësit që nga 27 marsi 1999 e deri sot, është 412.602 persona, ndërsa janë transportuar poshtë për në rrethet e tjera të vendit 324.431 veta me 17.950 mjete transporti.

Me të ardhurit e këtyre ditëve, në Kukës ka 88 mijë kosovarë të dëbuar nga territoret e tyre etnike. Sipas Drejtorit të Shëndetit Publik të rrethit të Kukësit, Gani Gashi, me një punë përkushtuese të të gjithë mjekëve shqiptarë dhe të huaj që po veprojnë aktualisht në Kukës, është mbajtur nën kontroll situata shëndetësore dhe epidemiologjike e mbi 150 mijë banorëve të shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Zoti Gani Gashi, e kosideron një fat të madh këtë gjë.

Lufta, është përqendruar në vijën kufitare me Shqipërinë. Sipas gazetarit tonë në frontin e luftimeve, Nexhat Çoçaj, superioriteti i ushtrisë tonë është i dukshëm. Humbjet e armikut janë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishme; morali i ushtarit serb ka rënë përtokë, që do të thotë se fundi i luftës është i afërt pa dyshim me disfatë të plotë të rregjimit gjakatar të Milosheviçit. Përmes një interviste në Radio-Kukësi, Musa Mustafa, gazetar i Kohës Ditore, tregon për vuajtjet në burgun e Vushtrrisë. Ai thotë, se ka shumë masakrime, përdhunime e krime të tjera që nuk mund të përshkruhen.

Përsëri pasditen e sotme, ka patur të ardhur nga burgu i Smrekovnicës. Sipas informacionit nga pika e kufirit në Morin, janë mbi gjashtëqind persona, që mbërritën në Kukës rreth orës 15. Pika e parë e strehimit të tyre është një çadër e madhe kolektive e ngritur në sheshin kryesor të qytetit. Pasi ushqehen e pushojnë, ata transportohen në rrethet e tjera.

E hënë, 24 maj 1999

Kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte sot në Kukës, i shoqëruar nga zëvëndëskryeministri Ilir Meta. Dy personalitetet e larta, organizuan një miting në kampin e UNHCR-së në Gostil dhe më pas në kampin e ndërtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe që ka të strehuar mbi dhjetë mijë banorë të shpërngulur. Hashim Thaçi dhe Ilir Meta, bënë një takim edhe me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës në Prefekturë. Kryetari i shtabit, Qemal Elezi, u tha atyre se deri, tani kanë hyrë mbi 400 mijë veta. Aktualisht, në familjet e qytetit të Kukësit, ka rreth 100 mijë veta, ndërsa në 8 kampe mbi 30 mijë banorë të tjerë. Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi Kukësin dhe drejtuesit e këtij qyteti për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në çastet më të rënda të Kosovës. Shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre, këtu në Kukës, janë më afër Kosovës,- tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke u shprehur më tej, se është e afërt dita kur do të jemi në vatrat tona të lira. Më pas, zoti Thaçi dha një konferencë për gazetarët vendas dhe të huaj. Nesër, në Bruksel do të mblidhen ambasadorët e NATO-s për të gjetur një rrugëzgjidhjeje të konfliktit. Ata, do të diskutojnë për dërgimin në Ballkan të një force ushtarake të përbërë prej rreth 50 mijë trupash.

Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, takohet me kryeministrin belg. Gjithashtu, në Bruksel ai është takuar me komandantin e NATO-s, Uesli Klark dhe komisionerin Van der Bruk. Të 456 të ardhurit e sotëm të gjithë të burgosur të burgut famëkeq të Smrekovnicës, kanë mbërritur sot në mesditë në Kukës. Ata pohojnë, se serbët po i rimbushin burgjet me kosovarë të tjerë që vijnë nga zona të ndryshme të Kosovës. Të burgosurit janë trajtuar si kafshë. Dje në rrethin e Hasit, kanë hyrë mbi 50 të dëbuar nga Kosova. Në pikën e Qafës së Prushit, ka një muaj që nuk ka hyrë asnjë person. Në qytetin e Kukësit, çdo familje strehon mesatarisht 15 banorë kosovarë, ndërsa në fshatrat përreth kjo shifër është nga 25 deri në 30 veta. Gjashtë predha, kanë rënë sonte në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit. Janë dëmtuar dy shtëpi, ndërsa dëme në njerëz nuk ka patur.

E martë, 25 maj 1999

Po merren masa të gjithanshme për fillimin e shkollës verore për fëmijët kosovarë, që janë të vendosur në Prefekturën e Kukësit. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit për Rrethin e Kukësit, Islam Gjana, shprehet se janë marrë të gjitha masat për fillimin e këtij viti dhe do të ketë një bashkëpunim të shkëlqyer midis mësuesve kuksianë dhe atyre kosovarë në realizimin me sukses të programit mësimor.

Në rrethin e Kukësit, vazhdon zhvlerësimi i markës gjermane në raport me lekun. Leku shqiptar që nga fillimi i krizës ka fituar terren. Vazhdojnë provokime serioze në kufirin shqiptaro-shqiptar, shkaktuar nga ushtria serbe që është në agoni e sipër. Bisha e plagosur është e rrezikshme dhe pikërisht për këtë duhet të kenë kujdes gjithë banorët e fshatrave buzë kufirit në rrethet Has e Tropojë. Mbrëmë, disa predha kanë rënë në fshatin Dobrunë të rrethit të Hasit. Po kështu 12 predha, kanë rënë edhe në Tropojën e Vjetër dhe në Kamenicë të rrethit të Tropojës. Deri tani, nuk kemi informata për dëmtime në njerëz dhe materiale.

Në një intervistë akademiku i shquar, Rexhep Qosja, thekson: Amerikanët, që është edhe e kuptueshme kanë parë, kanë vënë në dukje, në të vërtetë, se në Kosovë sot zgjidhet një problem që i kalon përmasat e Kosovës dhe interesat e saj e të shqiptarëve. Në Kosovë, sot bëhet fjalë për rendin e ri botëror. Aty po hidhen themelet e rendit të ri boteror, të bazuar në sistemin e të drejtave të njeriut.

Sot paradite, ministri i Jashtëm, Paskal Milo, priti Kryeministrin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi. Zoti Thaçi deklaroi, se së shpejti do të jetë në Amerikë dhe në disa vende të tjera të Evropës. Si gjatë vizitës në Kukës, ashtu edhe në takimet e bëra me drejtues të shtetit shqiptar, kryeministri kosovar HashimThaçi, tregohet i matur e tolerant ndaj Ibrahim Rugovës dhe veprimeve të tij të fundit. Kryeministri kosovar, bëri të ditur se do të takohet të enjten me Ibrahim Rugovën, nëse ai vjen në Tiranë. Pa njësuar qëndrimin tonë politik, - tha Hashim Thaçi, - nuk kemi si t'i paraqitemi Evropës.

Në konferencën e përditshme të shtypit, Xhemi Shi, zëdhënësi i NATO-s në Bruksel thotë, se NATO-ja, është kundër planit të Franjo Tuxhmanit për ndarjen e Kosovës. Ky plan i liderit kroat, është çuditërisht përkrahje e kriminelit të dëshmuar Slobodan Milosheviç. Një delegacion i OKB-së, i drejtuar nga Sergio Vieira de Melo, viziton Kosovën në kuadër të një misioni humanitar. Ai shprehet, se situata në Kosovë është shumë më e rëndë sesa pritej, ndërsa serbët nuk kanë lënë delegacionin të lëvizë lirshëm në Kosovë.

Mbrëmë aeoroplanët e NATO-s, kanë bombarduar një bunker në Beograd ku mendohej të ishte Slobodan Milosheviçi. Nja 84 persona, dolën sot nga Kosova në drejtim të fshatit Cahan të rrethit të Hasit. Është rasti i parë gjatë gjithë krizës që dalin nga ky drejtim kosovarë të shpërngulur.

E mërkurë, 26 maj 1999

Ibrahim Rugova, sot mbërriti në Shkup. Ai bëri një vizitë në kampin e refugjatëve Stankovec 1, ku janë vendosur më shumë se 15 mijë persona. Është takimi i parë i Ibrahim Rugovës me të dëbuarit me dhunë, që nga koha kur filloi konflikti. Pas takimit me presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviç dhe një sërë takimesh të tjera me funksionarë të lartë serbë e rusë gjatë prillit, Ibrahim Rugova, është lakuar shumë në rrethet politike shqiptare dhe më gjerë.

Në një intervistë, që Adem Demaçi, i jep një gazetari britanik deklaron, se Kosova është një burg i madh dhe kërkon që NATO-ja të futet me trupa tokësore. Po në këtë intervistë, zoti Adem Demaçi, kritikon Ibrahim Rugovën për takimin me Slobodan Milosheviçin. Ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, shkon sot në Romë dhe më pas në Gjermani e Francë. Ai ka për synim, që bashkë me drejtuesit e këtyre vendeve, t'u përcjellë një mesazh të qartë Jugosllavisë dhe Milosheviçit.

Sot në pikëkalimin në Morin, kanë hyrë 220 persona të gjithë të burgosur të burgut të Smrekovnicës. Me më shumë intensitet vazhdojnë provokimet e ushtrisë jugosllave ndaj fshatrave tona në kufi me Kosovën. Breshëri predhash, kanë rënë në fshatrat Vlahën, Cahan e Pogaj të rrethit të Hasit. Në fshatin Cahan, ka patur dy të vdekur, babë e bijë, Musë Cahani, 58 vjeç dhe Merita Cahani, 20 vjeç. NATO-ja, ka sugjeruar që forcat ndërkombëtare që do të futen në Kosovë, do të përbëhen nga 30 deri në 50 mijë trupa.

E enjte, 27 maj 1999

Sot në orën 9, snajperët e ushtrisë jugosllave, kanë goditur për vdekje një gazetar latino-amerikan nga Kili. Ai vdiq pak kohë më pas në Kampin italian 1 në Rexhepaj, katër kilometra larg qytetit të Kukësit. Të ardhurit nga Kosova, i blejnë vetë barnat në shumicën e rasteve. Përfaqësues të shoqatës Mjekët e Kosovës, pohojnë se më shumë se 30 % e barnave janë në kufirin e skadencës, ose kanë skaduar dhe shumë nga ato janë për mjekim të njëanshëm. Ka disa ditë që kanë filluar të shkurtohen rreshtat e gjatë të banorëve që qëndronin me orë të tëra për të realizuar një bisedë telefonike me të afërmit e tyre. Kjo dëshmon qartë, se pas rënies së numrit të banorëve kosovarë në Kukës, ka filluar edhe një farë normalizimi në të gjitha drejtimet.

Zyra e informimit që është e hapur në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, me nismën e veprimtarëve të shquar Besim Muhadri e Nexhat Çoçaj, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në ndihmë të banorëve kosovarë të dëbuar dhe të vendosur në rrethin e Hasit. Gjithashtu, një kontribut tepër të rëndësishëm ato kanë dhënë edhe në njoftimin e të gjitha problemeve në Radio-Kukës dhe në mediat e tjera të vendit dhe të huaja. Janë shumë kronika e informacione të realizuara nga këta gazetarë, që qartësuan shumë gjëra dhe ndihmuan realisht në këtë drejtim.

Demir Reshiti, një tjetër poet dhe gazetar kosovar, po jep kontribut në Radio-Kukësi. Që ditën kur erdhi diku nga 11 prilli, deri në ditën e sotme, ka qenë tepër aktiv në publikimin e shumë informacioneve e kronikave, ku pasqyrohen në mënyrën më profesionale problemet në ditët e vështira të popullit kosovar, por edhe të gjithë kombit në tërësi.

Vazhdojnë të vijnë në Kukës përmes pikës së Morinit, shumë të burgosur. Mbrëmë dhe sot, kanë mbërritur mbi 500 veta, të gjithë burra kosovarë të burgosur të kampit famëkeq të Smrekovnicës. Nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka filluar operacioni në shkallë të gjërë kundër ushtrise serbe në Pashtrik. Aktualisht, është marrë maja e Pashtrikut ku armiku ka lënë 30 të vrarë. Dje, ushtria jugosllave ka bërë një masakër të tmerrshme në lagjen Tusus të Prizrenit. Nuk dihet numri i të vdekurve, por dihet se janë djegur më shumë se 500 shtëpi. Në një mesazh, që presidenti amerikan, Bill Klinton, u dërgon të dëbuarve me dhunë nga ushtria serbe, u bën të qartë kthimin e shpejtë. Me forcën tuaj dhe me vendosmërinë tonë e të NATO-s, nuk ka dyshim që rezultati do të arrihet, - është shprehur Klinton në radion Zëri i Amerikës dhe në Evropa e lirë.

Krimineli Slobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorët e tij, janë paditur në Gjyqin e Hagës. Një mandat arresti ndërkombëtar, është nxjerrë sot për ta. Krimi më i lartë për të cilin akuzohet ai, është gjenocidi. Rusët, këtë padi ndaj kasapit të Ballkanit e konsideruan krejtësisht të politizuar. Të akuzuar për në Gjykatën e Hagës janë: Slobodan Milosheviç, presidenti i RF të Jugosllavisë, Milan Milutinoviç, presidenti i Serbisë, Nikola Shainoviç, zëvendëskryeministër i RF të Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniç, shefi i Shtabit të ushtrisë jugosllave dhe Vlajko Stoilkoviç, ministër i Punëve të brendshme të Serbisë. Akuza kundër tyre janë dëbimi në masë i popullsisë, akt që është vlerësuar si krim kundër njerëzimit, krimi i drejtpërdrejtë kundër popullsisë kosovare, masakrimi i saj, dëbimi masiv etj. Edhe pse luftë, gjenden forca për t'i ardhur këtij vendi erë paqeje e qetësie. Sonte filloi spektakli Miss Albania, ku konkurojnë bukuroshe nga gjithë trevat shqiptare.

E premte, 28 maj 1999

Nga bombardimet e mbrëmshme, Beogradi është zhytur në errësirë. Luizë Arbur, gjykatëse që ka paditur Slobodan Milosheviçin në Hagë, mbron vendimin e saj. Në një intervistë për mediat, ajo thotë se vendimi dhe masa e arrestit, janë me shumë vend. Luftime të ashpra të luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Shalës dhe në Vrrinin e Prizrenit. Kosova është ndezur flakë. Po kështu, beteja të ashpra me armikun ka patur në Llap, Shtime etj. Njësia ushtarake e Kukësit, zhvilloi një stërvitje me emrin Drini i Bardhë. Në këtë stërvitje mori pjesë presidenti, Rexhep Meidani, dhe ministri i mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Në këtë aktivitet ushtarak, u demonstruan 240 gryka zjarri të të gjitha kalibrave. Vetëm dje, kanë hyrë nga pika e Morinit 570 të burgosur. Pasi janë ndaluar përkohësisht në çadrën e madhe në sheshin qendror të qytetit, janë transportuar për në brendi të vendit.

Tym e flakë edhe në Morin. Sot, kanë rënë më shumë se 15 predha të artilerisë ushtarake serbe në këtë rajon. Në një pritje, që Ambasada shqiptare i bëri kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në Paris, ai pohoi se UÇK-ja është në ofensivë të plotë në disa drejtime. Dje, shefi i Qeverisë së Kosovës, është pritur nga ministri i Jashtëm i Francës, Yber Vedrin. Autoritetet franceze do të takohen sot edhe me Ibrahim Rugovën.

Spitali fushor i Kukësit, po kryen shumë punë në ndihmë mjekësore të banorëve. Është llogaritur se u shërben mbi dhjetë mijë banorëve. Ky spital ka në dispozicion dyqind shtretër dhe shumë ambulanca të shpërndara në kampe dhe në qytet, ku punojnë njëqind mjekë, të cilët mesatarisht mund të realizojnë dhjetë operacione në ditë.

E shtunë, 29 maj 1999

Venera Mustafa, një bukuroshe nga Prishtina është miss Albania. Spektakli qe një ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptarët, të cilët po përjetojnë krizën më të madhe në historinë e tyre të përgjaktë. Kryeministri spanjoll, Hoze Maria Aznar, viziton vendin tonë. Ai u prit nga kryeministri, Pandeli Majko dhe presidenti, Rexhep Meidani. Kryeministri spanjoll, e konsideroi UÇK-në aleate të NATOS-s. Ai vizitoi një kamp të dëbuarish në Hamallaj.

Sipas të dërguarit të Qeverisë shqiptare në Kukës, zotit Vladimir Shehu, në Kukës ka nëntëdhjetë mijë refugjatë, ndërsa mbi dhjetë mijë janë të zhvendosur nga fshatrat e brezit kufitar. Kjo situatë, ka shtuar elementë të reja në mbikëqyrjen e krizës në Prefekturën e Kukësit. Për këtë, kërkohet bashkëpunim edhe më i ngushtë mes Qeverisë shqiptare dhe UNHCR-së, si koordinatore e shoqatave joqeveritare që veprojnë në Kukës për të tejkaluar situatën e krizës, - tha i deleguari i posaçëm i kryeministrit në Kukës, Vladimir Shehu.

Sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Olbrajt, tha se vendimi i prokurorëve të Hagës për arrestimin e Slobodan Milosheviçit do të ndihmojë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Fundi i serbëve është i afërt. Zona e Pashtrikut, pothuajse është çliruar plotësisht. Përparimet e UÇK-së janë të mëdha. Brigada ushtarake 126 e drejtuar nga komandant Hoxha, ka vrarë tre çetnikë. Dje, rrufeja goditi katër ushtarë të UÇK-së në Pashtrik. Sipas raportit emocional të Nexhat Çoçajt nga vendi i ngjarjes ushtarët ishin Ismet Ilazi, Afrim Saliu, Halit Halimi dhe një tjetëri akoma i paidentifikuar. Mbrëmë në Kukës, erdhën edhe treqind të burgosur të tjerë nga burgu i Smrekovnicës. Kanë filluar të vihen në funksion furrat e bukës lëvizëse. Kështu, po stabilizohet gjendja e furnizimit me bukë, pasi deri  tash më shumë se 50% e bukëve kanë ardhur nga rrethet e tjera kryesisht nga Tirana dhe Elbasani.

E diel, 30 maj 1999

Pas një pauze të gjatë, janë shfaqur avionët ushtarakë jugosllavë përgjatë brezit kufitar. Një i tillë u pa sot të fluturonte sipër fshatit Kishaj të rrethit të Hasit. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka diskutuar sot në Bruksel para gjithë ministrave të Bashkimit Evropian. Ai ka patur ftesë nga ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, i cili është aktualisht në cilësinë e kryetarit të radhës për këtë konferencë. Dje, në kampin e Bashkisë në Kukës, vdiq një foshnje 8-muajshe. Shkaku ishte pakujdesia e prindërve. Ajo u mbyt në krevatin portativ. Varrimi u bë në varrezet e qytetit të Kukësit. Përfundimisht, sot ka filluar funksionimi i kuzhinave fushore me kapacitet 2.500 racione në ditë. Kjo metodë do të përmirësojë kuotën ditore ushqimore në kampin pranë Parkut të Ri në qytetin e Kukësit, ku janë të vendosur rreth 2.500 persona. Po në këtë kamp, sot do të funksionojë edhe xhamia e ngritur nga një fondacion arab. Në pikën e Morinit, sot erdhën rreth katërqind persona nga burgu i Smrekovnicës.

Sipas kanalit italian Rai Uno, Ibrahim Rugova, ka vizituar shqiptarët që janë vendosur në Sicili. Numri i përgjithshëm i banorëve kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre, që kanë hyrë në Prefekturën e Kukësit që nga fillimi, është 416.386 persona, ndërsa janë transportuar 337.966 veta me rreth 19 mijë mjete transporti shtetërore, të ushtrisë, NATO-s dhe atyre private. Zëdhënësi i UNHCR-së në Kukës, Rupert, shprehet se po haset në kundërshtime të banorëve të shpërngulur për të lëvizur në thellësi të vendit. Kjo shpjegohet me shpresën që kanë banorët për t'u kthyer në shtëpitë e tyre sa më shpejt. Vazhdojnë luftimet e ashpra në zonën e Pashtrikut. Nexhat Çoçaj, në raportin e tij u shpreh, se janë zënë në kurth shumë ushtarë jugosllavë, që do të thotë se ata kanë humbur orietimin dhe janë plotësisht në panik.

E hënë, 31 maj 1999

Në disa fshatra, ndihmat destinohen për familjet kosovare, por shpeshherë ato përfundojnë në duar krejt të tjera. Është e domosdoshme që shoqatat humanitare të koordinojnë punët edhe më mirë më drejtuesit lokalë dhe kryepleqtë e fshatrave. Deri sot, sipas zëdhënësit të Prefekturës kanë hyrë në Prefekturën e Kukësit 416.545 persona të dëbuar, ndërsa kanë lëvizur në rrethet e tjera 339.752 veta. Në Kukës, aktualisht ka 76.793 banorë kosovarë.

Numri i banorëve nëpër kampet e qytetit të Kukësit dhe të Krumës, është 29.711 banorë. Kështu, kampi italian 1, ka gjashtë mijë banorë, kampi italian 2 shtatëmijë persona, kampi i UNHCR-së 7014 veta, në këndin e lojërave në qytet ka më shumë se dy mijë, kampi i bashkisë  një mijë, kampi arab 6417, kampi "Nënë Tereza" mbi 3 mijë, pularia në Krumë 230 dhe kampi në Fajzë 950 veta. Në lagjen Bozhe të qytetit të Kukësit, dje u plagosën me një granatë tre fëmijë nga Deçani. Fëmijët ishin Bedri Ukaj, 13 vjeç nga fshati Ratish i Deçanit, Shqipërim Ramaj, 13 vjeç nga Mazniku i Deçanit dhe një djalë tjetër shtatëvjeçar. Siç bën të ditur Nexhat Çoçaj, korrespondenti i Radio-Kukësit në rrethin e Hasit, rreth orës 13,30 është shkatërruar pika e vrojtimit në Pogaj nga bombardimet e artilerisë armike. Sot në pikën e Morinit, kanë ardhur në drejtim të Kukësit rreth dyqind të burgosur të Smrekovnicës. Prokurorët shqiptarë, po mbledhin fakte për të ndihmuar Gjyqin e Hagës për dënimin e dhunës milosheviçiane.

Përpjekjet diplomatike, parashikohen të marrin një shtysë të re gjatë ditëve që vijnë. Presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviç, po jep çdo ditë e më shumë shenja të qarta se do të pranojë kërkesat e NATO-s. Presidenti i Finlandës, Mati Ahtisari, i dërguar i BE-së, do të takohet me të dërguarin rus Viktor Çernomërdin dhe Stet Tatbotin, zv/sekretar i shtetit amerikan, ditën e martë, për të caktuar drejtimet e bisedimeve me Beogradin. Në konferencën e zakonshme të shtypit, zëdhënësi i NATO-s, Xhemi Shi, tha se kemi goditur me shumë sukses. Unë besoj, se shumë shpejt Slobodan Milosheviçi do të pranojë pesë pikat.

Sot, kanë kaluar kufirin për në Kukës katërqind të burgosur.

E martë, 1 qershor 1999

Deri sot, sipas burimeve të ndryshme të informimit, nga sulmet e NATO-s janë dëmtuar 2/3 e armatimit të rëndë të ushtrisë jugosllave, është shkatërruar pothuajse plotësisht sistemi i radarëve dhe shumë aeroplanë bombardues janë shkatërruar. Llogaritet të kenë dalë jashtë loje 38 për qind e radiovalëve dhe 40 për qind e instalimeve ushtarake të tyre, janë këputur 34 ura rrugore dhe 11 hekurudhore. Që nga 24 marsi, nga aeroplanët e Aleancës së Atlantikut, janë kryer mbi 35 mijë fluturime.

Dje, janë zhvilluar luftime të ashpra në afërsi të fshatit Morin, ku tani është jo më porta e ferrit, por porta e shpresës për gjithë kosovarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Kjo luftë zhvillohet përgjatë kufirit deri në Padesh. Ofensivën e përgjithshme të UÇK-së në malin Pashtrik kundër forcave armike, e përshkruan sot në një kronikë gazetari Nexhat Çoçaj. Për shkak të luftës në vijën e kufirit me Kosovën sot, 6 predha kanë rënë në fshatin Bardhoc. Po sot, kanë rënë 5 predha në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, pikërisht në afërsi të spitalit dhe në lagjen Pekë. Ka patur një të plagosur, por pa rrezik jete. Nga fshatrat e rrethit të Kukësit, që janë goditur nga artileria serbe, banorët kosovarë të vendosur aty, kanë lëvizur në drejtim të qytetit të Kukësit. Njëri nga ta është edhe poeti, Ibrahim Skënderi. Në mbrëmje, pasi u kthyem nga pika e Morinit, pimë kafe me Ibrahimin në Turizmin e Ri të qytetit.

Ka patur sot bombardime edhe në fshatrat Pogaj e Kishaj të rrethit të Hasit. Bedri Koleci, nga ky fshat shprehet se atje ka luftë të vërtetë. Më shumë se gjysma e shtëpive, janë shkatërruar nga artileria e ushtrisë serbe, pohon ai. Ish-presidentja e Irlandës, Meri Robinson, që aktualisht është komisionere e lartë për refugjatë në OKB në një raport ka dënuar spastrimin etnik të Kosovës.

Sot është festa e luleve, Dita e fëmijëve. Në të gjithë shkollat e Prefekturës, u organizuan veprimtari kulturore dhe fëmijët dhanë koncerte artistike në mjedise të ndryshme. Është dita e parë e luleve, që fëmijët kuksianë festojnë bashkë me fëmijët shqiptarë të dëbuar dhunshëm, të cilëve u është mohuar jeta normale dhe e lirë në shtëpitë e tyre. Kjo ditë, përcolli qartë mesazhin se shumë shpejt fëmijët e Kosovës do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe do të fillojnë jetën normale në liri. Organizohet përsëri një koncert i madh kushtuar fëmijëve shqiptarë të dëbuar dhe atyre guatemalas. Këtë koncert, e ka organizuar Luçiano Pavaroti, tenori i madh italian, ku marrin pjesë artistë të mëdhenj si Maria Keri, Riki Martin, Xhani Morandi, Zukero etj. Vazhdojnë përpjekjet e dendura diplomatike për të gjetur një zgjidhje të konfliktit në Kosovë. Sot në Bruksel, do të takohen ish-presidenti finlandez Mati Ahtisari, i dërguar i BE-së, ai rus Viktor Çërnomerdin dhe zv/sekretari amerikan i shtetit Stet Tatbot. Ata do të bisedojnë për një plan paqeje në Kosovë dhe ky plan do të përcillet këtë javë në Beograd.

Sot pasdite kanë kaluar pikën e Morinit, në drejtim të qytetit të Kukësit, njëqind të burgosur të Smrekovnicës.

E mërkurë, 2 qershor 1999

Rreth orës 18, filluan bisedimet në Beograd. Merrnin pjesë nga pala jugosllave: Slobodan Milosheviç, kryeministri Mirko Marjanoviç, ministri i Jashtëm Zhivadin Jovanoviç dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Dragolub Ojdaniç. Me përfaqësuesin e BE-së, Mati Ahtisari dhe atë rus Viktor Çërnomërdin, janë edhe shumë ekspertë amerikanë e rusë. Përfaqësuesit e rëndësishëm të caktuar për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë kërkojnë zbatimin e pesë pikëve të përcaktuara nga NATO-ja:

   1. Ndalimi i dhunës në Kosovë,

   2. Tërheqja e të  gjithë trupave ushtarake, policore e paramilitare,

   3. Futja e një force ndërkombëtare paqeje,.

   4. Kthimi i të gjithë refugjatëve,

   5. Administrimi ndërkombëtar dhe dhënia e statusit të Kosovës.

Sonte në orën 19, teatri Terapi shfaq në qytetin e Kukësit komedinë Ëndërr e një nate vere. Komedia shfaqet për të gjithë dhe realizohet nga studentët kosovarë të Institutit të Lartë të Arteve, nën regjinë e Agim Selimit. Sot, Shqipërinë do ta vizitojë presidentja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zonja Hol Dënjë. Ajo do të takohet me presidentin, Rexhep Meidani dhe personalitete të tjera të shtetit shqiptar. Vazhdojnë luftime të ashpra pas malit Pashtrik. UÇK-ja, po korr suksese të njëpasnjshme, njofton bashkëpunëtori ynë Nexhat Çoçaj. Nga artileria e ushtrisë agresore, janë goditur përsëri fshati Kishaj dhe lagja Mariq. Burrat janë qëndrojnë në llogoren e luftës, ndërsa gratë, pleqtë dhe fëmijët kanë lëvizur në zona më të sigurta.

Predha të artilerisë së ushtrisë armike, ranë përsëri në fshatrat Morin, Bardhoc dhe Gjegjan. Bëhet me dije, se nga bombardimet në fshatin Morin, janë dëmtuar dy shtëpi dhe disa bunkerë pranë këtij fshati. Po sot, predha artilerie kanë rënë edhe në fshatrat Gjinaj e Domaj të rrethit të Hasit, por dëmtime nuk ka patur. Aeoroplanët e NATO-s, kanë goditur sot fuqishëm përgjatë vijës së kufirit me Kosovën kryesisht në fshatrat Vërmicë, Zym, Gorozhup e Planejë. Nga fshatrat e Prefekturës të Kukësit, kryesisht rrethet Has e Kukës, ka patur evakuuim të popullsisë më në thellësi.

Në pikën e kalimit në Morin, kanë hyrë 500 persona të dëbuar, nga këta 280 nga burgu i Smrekovnicës, ndërsa të tjerët banorë kryesisht të rrethinës së Prizrenit. Siç bën të ditur UNHCR-ja, financimi i afro 900 mijë refugjatëve kërkon 10 milionë dollarë në javë. Përsëri Ana Oksa në emisionin e Bruno Vespës, Porta a porta. Sonte, janë në emision edhe personalitete të mëdha të politikës italiane, Maximo d'Alema, Berluskoni etj. Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Ana Oksa, është shdërruar që në fillim në një nga mbrojtëset më të mëdha të popullit shqiptar.

E enjte, 3 qershor 1999

Sot paradite në orën 9, kanë filluar përsëri bisedimet në Beograd. Sipas burimeve të sigurta të informacionit, presidenti jugosllav Slobodan Milosheviç, dorëzohet përfundimisht. Ai pranon dokumentin me dhjetë pika e katër faqe, që  përcakton kushtet e vëna nga NATO-ja. Nuk na besohet se në Beograd është arritur sukses, d.m.th. se lufta u fitua. Milosheviçi, është tepër i djallëzuar dhe me veprimet e tij ka humbur besimin.

Sipas njoftimeve nga fronti, ka patur luftime të ashpra mes forcave serbe dhe luftatarëve të lirisë në zonën operative Lumëbardh-Pashtrik. Nga ana e ushtrisë serbe, janë grumbulluar forca të mëdha ushtarake për të fituar pozicionet e humbura, por çdo përpjekje e agresorit ka dështuar, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është në ofensivë dhe nuk ka të ndalur. Lufta ka përfshirë gjithë Kosovën. Armiku përjeton grahmat e fundit. Burime informacioni nga fronti bëjnë të ditur, se përleshje të ashpra nuk ka vetëm në fshatrat në afërsi të kufirit me Prefekturën e Kukësit, por në gjithë zonat, në Rrafshin e Dukagjinit, në Dobrajë, Vrrin, Koshare, Drenicë etj. UÇK-ja ka përparuar shumë, ndërsa ushtria jugosllave është në agoni e sipër. Fundi i saj, besohet, të jetë punë ditësh.

Kanë rënë 35 predha në fshatin Cahan të rrethit të Hasit. Ka dëmtime të shtëpive të banimit. Më  7 qershor, mbi dhjetë mijë fëmijë kosovarë, do të fillojnë shkollën. Rrethanat për fillimin e mësimit, janë shumë të vështira. Mungojnë mjetet më elementare, por, duke bashkëpunuar me drejtoritë arsimore të rretheve të Prefekturës dhe me tekstet e fëmijëve kuksianë, besohet se dalëngadalë do të normalizohet gjendja. Sipas radios Evropa e lirë, bëhet me dije se si pasojë e luftës në Kosovë dhe aksioneve të UÇK-së, forcat serbe kanë humbur më shumë se pesë mijë veta dhe janë plagosur mbi dhjetë mijë të tjerë. Mbrëmë sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbrajt, përshëndeti takimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mati Ahtisari dhe atij rus Viktor Çërnomërdin, por theksoi se sulmet do të vazhdojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të NATO-s nga Jugosllavia.

Në një intervistë për kanalin televiziv të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se UÇK-ja do të pranojë paqen. Edhe sot vazhdojnë bisedimet. Të dërguarit, kanë shkuar me propozime konkrete në Beograd dhe janë të gjitha gjasat që krimineli Milosheviç të jetë në pozitë të vështirë. Ndërkohë, diplomacia amerikane është për një vazhdim intensiv të bombardimeve mbi objektet ushtarake e strategjike jugosllave.

E premte, 4 qershor 1999

Gazeta prestigjioze amerikane The Washington post, komenton pranimin e pikëve të përcaktuara nga NATO-ja në atrikullin, NATO-ja dhe UÇK-ja bënë që Milosheviçi të nënshtrohet. Aktualisht, në Kukës ka 73 mijë banorë të shpërngulur. Sipas informacionit të marrë nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën e Kukësit sot, kanë lëvizur për në brendi të vendit mbi 500 persona.

Në natën e 72-të të sulmeve kundër Jugosllavisë, goditja është përqendruar në Kosovë dhe në Serbinë Qendrore. Lufta tokësore zhvillohet përgjatë kufirit në një gjatësi prej 40 km. Për herë të parë, NATO-ja ka ndriçuar qiellin me fishekzjarre për të zbuluar objektivat e armikut. Sipas Xhemi Shisë, zëdhënës i NATO-s, janë kryer vetëm mbrëmë mbi 230 bombardime mbi objektet strategjike e ushtarake të Jugosllavisë. Në konferencën e përditshme të shtypit, ai nënvizoi se trupat ndërkombëtare që do të futen në Kosovë, do të jenë nën drejtimin e NATO-s. Fushata e vaksinimit, ka hyrë në fazën e saj përfundimtare. Burime informacioni nga Drejtoria e Shëndetit Publik, thonë se gjithçka po shkon mirë në përputhje me planifikimin. Mati Ahtisari, i dërguar i Bashkimit Evropian, bisedimet e djeshme në Beograd dhe pranimin e kushteve nga Slobodan Milosheviçi, i konsideroi si një hap të parë drejt arritjes së paqes në Kosovë. Megjithatë, ai theksoi se mbetet shumë për të bërë.

Komanda e trupës ushtarake ndërkombëtare që do të futet në Kosovë, komanduar nga gjenerali Majkëll Xhekson, do të takohet në kufirin me Kosovën me oficerë të Shtatmadhorisë serbe, të cilëve do t'u bëhet e qartë tërheqja e tyre nga Kosova. Shumë banorë kosovarë në Kukës, nuk besojnë planin e paqes nga Parlamenti serb. Kundrejt këtij plani, janë skeptikë edhe politikanët kosovarë. Në një komunikatë të sotme të Qeverisë së përkohshme të Kosovës, thuhet se është e domosdoshme mbështetja në pesë kushtet e NATO-s dhe në iniciativat serioze të komunitetit ndërkombëtar. UÇK-ja, deklaron përmes zëdhënësit të saj, Jakup Krasniqi, se UÇK nuk do të pushojë luftën derisa të futen trupat ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Beogradi, do të jetë përgjegjës për heqjen e minave, deklaroi në Bruksel zëdhënësi ushtarak i NATO-s, Kaurard Frajtag. Pas luftës minat do t'i heqë me detyrim një kontigjent i ushtrisë serbe, u shpreh zëdhënësi ushtarak i NATO-s. Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, do të ngarkohet për zbatimin e elementit civil të marrëveshjes së paqes për Kosovën, deklaroi në Sarajevë, Knud Velebek, drejtues aktual i kësaj organizate të rëndësishme evropiane. Të gjitha institucionet civile, do të jenë në duart e OSBE-së, u shpreh ai. Shefi i diplomacisë maqedone, Aleksandër Dimitrov, e konsideroi pozitiv dhe optimist vendimin e Parlamentit serb për paqen në Kosovë.

Presidenti francez, Zhak Shirak, pohoi në Këln të Gjemanisë, se duhet punuar urgjentisht për vënien në jetë të planit të paqes dhe Këshilli i Sigurimit duhet të miratojë pa vonesë një rezolutë për forcën ndërkombëtare dhe administratën civile në Kosovë. Në emisionin Dritare të Rudina Xhungës, është ftuar profesor Rexhep Qosja. Akademiku ynë i shquar, vlerëson lart kontributin e UÇK-së në arritjen e marrëveshjes së paqes dhe, nga ana tjetër, kritikon ashpër politikën paqësore të Ibrahim Rugovës. Këtë politikë, ai e përcakton si fajtoren kryesore të krijimit të gjendjes katastrofike në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Jakup Krasniqi, dha në Tiranë një konferencë shtypi. Ai përshëndeti hapat e fundit diplomatikë, por nuk beson se Slobodan Milosheviç do ta mbajë fjalën. Jakup Krasniqi, në këtë konferencë shtypi, mbështeti një forcë shumëkombëshe nën drejtimin e NATO-s.

E shtunë, 5 qershor 1999

Nga një anketë, e bërë sot nga një grup gazetarësh të Radio-Kukësit me grupmosha të ndryshme të banorëve kosovarë të shpërngulur, del se nga 150 prej tyre, 80% besojnë në realizimin e një paqeje të qëndrueshme të garantuar nga NATO-ja, ndërsa 20% mendojnë se NATO-ja i ka bërë lëshim Rusisë, duke argumentuar se ky organizëm, që po luan rol të pazëvendësueshëm për shpartallimin e makinës së dhunës serbe, do të pranojë trupa ruse në Kosovë. Vazhdojnë me intensitet bombardimet e avionëve luftarakë të NATO-s kundër objektivave jugosllave. Pikësynim i mbrëmshëm, ishin fshati Zhur ku kishte trupa ushtarake serbe dhe fshati Vermicë pranë pikës kufitare. Gjithashtu, është goditur një fabrikë barnash në Prizren. Lufta përgjatë vijës së kufirit, prapa malit Pashtrik po zhvillohet e ashpër. Armiku ka filluar tërheqjen, si rrjedhojë e epërsisë së UÇK-së.

Në Kukës, sot bëri një vizitë kryetari i Asamblesë Parlamentare të Evropës, lordi Rasëll Xhonson, i shoqëruar nga nënkryetari i Parlamentit shqiptar, Namik Dokle. Ai ka vizituar kampet e refugjatëve dhe është takuar në Prefekturë me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës. Me atë që ju po bëni, keni fituar respektin e gjithë botës. Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar këtë popull të ndershëm e bujar, - tha zoti Xhonson në atë takim.

Rusia, nuk është dakord për futjen e trupave të saj nën drejtimin e NATO-s në Kosovë. Gjatë takimit që ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, ka patur me presidentin, Boris Jelcin, është thelluar edhe më tej hendeku. Burime informative, bëjnë me dije se ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, është shprehur se nuk do të ketë rrugë paqësore në Kosovë, derisa ka atje bombardime. Kanë kaluar mbrëmë pikën e Morinit 258 kosovarë të dëbuar, shumica të burgosur nga Smrekovnica, ndërsa vazhdon evakuimi në nivel të ulët në drejtim të rretheve tjera të vendit.

E diel, 6 qershor 1999

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet për një vizitë në Oslo të Norvegjisë, i ftuar nga ministri i Jashtëm i këtij vendi. Dje, u mbyt në Liqenin e Fierzës një 15-vjeçar nga nga fshati Lebiçevë i Prizrenit, me emrin, Rasim Maçka. Që prej fillimit të krizës e deri tani, ky është rasti i dytë i mbytjes në liqen nga banorët shqiptarë të shpërngulur që janë të vendosur në qytetin e Kukësit. Për shkak të bombardimit në fshatin Letaj të rrethit të Hasit, është plagosur lehtë një ushtar i njësisë sonë ushtarake, por është jashtë rrezikut. Kanë rënë disa predha në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit. Janë plagosur dy persona, por janë jashtë rrezikut. Bombardimet e artilerisë serbe, përveç synimeve të tjera, kanë edhe mbulimin e terrenit me mina kasetë, që janë tepër të rrezikshme. Llogaritet që në Prefekturën e Kukësit, të ketë disa qindra hektarë tokë me këso minash, që ka mbjellë goditja e vazhdueshme e artilerisë së ushtrisë jugosllave.

Sipas Zyrës së informimit në qytetin e Krumës, është problem lidhja e familjeve të dëbuara me njërëzit e tyre jashtë Shqipërisë. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të filialit të Telekomit, nuk është arritur të plotësohen të gjithë nevojat e banorëve. Që nga dita kur filloi dëbimi i vëllezërve tanë nga Kosova prej ushtrisë, policisë dhe bandave paramilitare serbe, në Kukës ka patur 210 lindje në materinitetin e këtij qyteti. Mjeku gjinekolog, Abdullah Alia, theksoi sot se është përballuar një punë e jashtëzakonshme nga materniteti i Kukësit dhe çdo punonjës i tij ka qenë në çdo orë në krye të detyrës.

Sipas radios Zëri i Amerikës, një avion serb, ka goditur bazat e UÇK-së në Pashtrik. Janë plagosur tre ushtarë, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, është shprehur shumë ashpër. Ai citohet të ketë thënë, se Jugosllavia në asnjë mënyrë nuk mund të ndërtohet, duke patur në udhëheqje Slobodan Milosheviçin. Gjithashtu, Solana ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe shqiptarëve: Vendosja e trupave ruse në veri të Kosovës, nuk mund ta ndajë kurrë Kosovën, pasi të gjithë trupat në Kosovë kanë një komandë unike. Ato do të drejtohen nga NATO-ja.

E hënë, 7 qershor 1999

Besim Muhadri, mik yni dhe njëherësh bashkëpunëtori i Radio-Kukësit, i cili bashkë me Nexhat Çoçajn hapën Zyrën e informimit në qytetin e Krumës, sot u shpreh se gjatë kësaj periudhe krize, si zyrë informacioni, kemi arritur të realizojnë plotësisht qëllimin e ngritjes së saj. Misioni ynë ishte paraqitja e gjithçkaje, që ndodhte në këtë zonë në këtë situatë të vështirë. Zyra ka informuar me materiale konkrete mediat dhe institucionet e tjera të informimit.

Sot, filloi shkolla verore e destinuar për fëmijët kosovarë. Ditën e sotme, shkuan në shkollë 12.700 nxënës. Për zhvillimin e mësimit, janë vënë në dispozicion 19 shkolla veç mjediseve portative në kampe. Llogaritet që rreth 900 hektarë tokë, kanë mbetur pa mbjellë këtë pranverë në zonat kufitare për arsye të situatës së rëndë. Bukurosh Onuzi, përgjegjes i Zyrës së shërbimeve në Prefekturën e Kukësit shprehet, se jo vetëm kaq, por ka dëme të konsiderueshme edhe në bagëti në këto zona.

Bisedimet midis ushtarakëve të NATO-s dhe atyre jugosllavë në Kumanovë, tani për tani kanë dështuar. Kështu pohoi zëdhënësi ushtarak i NATO-s, rreth orës 3 pas mesnatës. Dështimi ndodh, ngaqë ushtria jugosllave nuk pranon marrëveshjen e nënshkruar nga vetë Parlamenti serb. Kështu, nga pala jugosllave nuk garantohet tërheqja e plotë e forcave ushtarake dhe rikthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre. Që nga 27 marsi, në qytetin e Kukësit janë shënuar 138 vdekje të të gjithë moshave. Sipas Nuhi Cokës, përgjegjës i funeraleve në Bashkinë e qytetit, e veçanta është se shtatë prej të vdekurve janë të paidentifikuar, ndonëse kanë qëndruar për disa ditë në morgun e spitalit të qytetit të Kukësit. Të gjitha vdekjet, janë regjistruar rregullisht nga Prokuroria e qytetit të Kukësit. Të vdekurit, janë fotografuar dhe është mbledhur informacioni i duhur për secilin rast vdekjeje.

E martë, 8 qershor 1999

Sipas informacioneve të fundit, janë takuar më në fund, në qytetin gjerman në Këln, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova. Merita i takon sekretares amerikane të shtetit, Medlin Olbrajt, e cila pas bisedës, u ka deklaruar drejtuesve kosovarë se shpejt do të takohemi në Kosovën e lirë.

Sipas drejtorit të spitalit të Kukësit, Bajram Cena, spitali me kapacitet 236 shtretër e me 36 specialistë po përballon një volum pune të jashtëzakonshme. Në urgjencë dhe poliklinikë, janë vizituar mbi 26 mijë kosovarë, nga këta 2.700 të sëmurë kronikë. Në maternitet, janë vizituar mbi tri mijë gra dhe ka patur treqind fëmijë të lindur. Janë kryer mbi dyqind operacione të rënda. Numri i të vdekurve në spital, që nga fillimi i krizës, ka qenë 27 banorë kosovarë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Të gjitha këto tregojnë punën e madhe, që stafi mjekësor i spitalit të Kukësit ka bërë për të përballuar situatën e rëndë gjatë krizës. Mjeku Safet Elezi, shefi i sektorit të gjinekologjisë në maternitetin e Kukësit, thotë: Shtëpia e lindjes e qytetit të Kukësit, ka një kapacitet prej 70 shtretërish. Në periudhën normale, ka patur rreth 1.500 lindje në vit, domethënë dy-tri lindje në ditë, ndërsa gjatë kësaj periudhe, ka mesatarisht tetë lindje në ditë.

Ka një rritje të numrit të banorëve në kampe. Sipas regjistrimit të fundit, rezulton se në kampe në Kukës ka 33 mijë banorë. Kampi arab ka 7.819, Kampi italian 1 ka 4.650, Kampi italian 2 gjithsej 4.227, kampi "Kapanamur" 6.500, Zabeli 2 mijë, kampi i bashkisë 2.015 banorë, kampi i ngritur nga UNHCR-ja në Gostil 5.766 banorë. Kjo rritje, shpjegohet me faktin se kanë filluar të kthehen banorët nga rrethet e tjera për të qenë më pranë pikëkalimit në Morin të gatshëm për të hyrë në Kosovë.

Isha në qytetin e Bajram Currit. Gjendja në këtë rreth është e rëndë. Edhe këtu ka filluar viti i ri shkollor për fëmijët kosovarë. Sipas Isa Kuliqit, Sekretar i Këshillit të Rrethit të Tropojës, vazhdojnë të goditen fshatrat nga artileria serbe. Spitali i qytetit të Bajram Currit, po përballon një volum të madh pune. Aktualisht, në këtë spital janë 24 ushtarë të plagosur. Mungon gjak për të plagosurit. Njërin nga ushtarët e plagosur në Koshare, Samet Ramadanin, i ushtar i brigadës 138, e morëm për në Kukës për kurim.

Mbrëmë gjithë natën dhe sot, gjendja në rrethin e Hasit është e tensionuar. Gjashtë predha kanë rënë në fshatin Letaj, ndërkohë që luftimet janë tepër të ashpra pranë kufirit. Ka kohë që vendin e quajtur Zabel në qytetin e Kukësit, ku është ngritur në mënyrë spontane një kamp, banojnë më shumë se dy mijë veta. Sipas intervistës që Demir Reshiti, i mori përgjegjësit të këtij kampi, Bedri Kolloni, është normalizuar dukshëm gjendja e ushqimit dhe e shpërndarjes së ndihmave për këta banorë. Problem të madh ka zgjidhur kuzhina e ngritur pranë këtij kampi, e cila ushqen me gjellë të gjithë të dëbuarit që jetojnë këtu.

Nga bashkëpunimi i qeverive të Gjemanisë dhe të Francës, është ngritur në fshatin Fajzë të rrethit të Hasit, një kamp me kapacitet rreth dy mijë persona. Vetëm këto ditë, janë shpenzuar rreth 80 mijë marka gjermane për ndërtimin e banjove dhe vendosjen e dusheve, me qëllim të krijimit të kushteve sa më normale për të dëbuarit. Në mbledhjen e G-8-ës në Bon të Gjermanisë, ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, shprehet se në qoftë se nuk ndalohen bombardimet e NATO-s, Rusia do të vendosë veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për miratimin e dokumentit të paqes.

E mërkurë, 9 qershor 1999

Vazhdon granatimi i fshatrave të Prefekturës së Kukësit nga artileria e ushtrisë agresore. Predha kanë rënë në fshatrat Vlahën, Dobrunë, Letaj, Kishaj dhe Cahan të rrethit të Hasit. Po kështu, predha të artilerisë kanë rënë edhe në fshatrat e rrethit të Tropojës. Sipas zëdhënësit të Prefekturës së Kukësit, janë evakuuar në drejtim të rretheve të tjera, 943 banorë të shpërngulur. Që nga fillimi i krizës, janë larguar në rrethet e tjera 350.088 persona, ndërsa në Kukës aktualisht, ka mbi 70 mijë kosovarë. Ka filluar pajisja e gjithë banorëve kosovarë me karta identiteti. Mbrëmë, në pallatin e kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit, u hap ekspozita me grafika e Nazif Dokles, e cila pati shumë vizitorë.

Delegacionet e NATO-s dhe të Jugosllavisë, po zhvillojnë bisedime maratone për të përfunduar hollësitë e tërheqjes së forcave ushtarake serbe nga Kosova. Këto bisedime, rifilluan mbrëmë në një bazë të NATO-s në Kumanovë dhe kanë vazhduar edhe sot. Dihet se ditë më parë, autoritetet jugosllave hezituan të pranojnë pesë pikët e përcaktuara, por burime informacioni nga selia e NATO-s thonë, se Jugosllavia do të pranojë planin e detajuar të NATO-s për tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosova dhe futjen e paqeruajtësve. Ndërkohë, aeroplanët e Aleancës Atlantike, kanë vazhduar me të njëjtin temp bombardimet. Zyrtarë të NATO-s në Bruksel, shprehen se aeroplanët luftarakë do të vazhdojnë goditjen nga ajri, derisa të fillojë tërheqja e trupave ushtarake jugosllave nga Kosova. Shpresoj të arrihet një marrëveshje brenda ditës, por përvoja për rënien në ujdi me serbët kërkon kujdes…Me progresin e arritur në bisedimet e Kumanovës, trupat e NATO-s mund të hyjnë në Kosovë brenda pak ditësh, - deklaroi kryeministri britanik, Toni Bler.

Italia, do të dërgojë në Kosovë pesë mijë trupa, - deklaroi kryeministri italian, Maximo d'Alema, në gazetën Koriera dela sera. Ministri gjerman i mbrojtjes, Rudolf Sharping, rekomandoi të sekuestrohet pasuria jashtë e presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviç dhe të përdoret kjo pasuri për rindërtimin e vendit. Kryeministri japonez, Obushi, e konsideroi të shkëlqyer suksesin në marrëveshjen e paqes të Kumanovës. Mediat serbe, po propogandojnë si fitore kapitullimin e turpshëm. Kështu, kanë bërë gjithnjë historikisht serbët, duke festuar humbjet. Një nga emrat më të njohur të disidencës polake, Adam Micnik, diku thotë: Serbët, kanë një vetëdije të thellë të tragjizmit të bëmave të veta. Në fakt, historia e tyre kështu është. Ata, gjithmonë, kanë festuar me madhështi humbjet e tyre.

E enjte,  10 qershor 1999

Marrëveshja, më në fund, u arrit. Jugosllavia kapitulloi përfundimisht dhe duket se nënshkroi në Kumanovë dorëzimin, bashkë me të edhe përfundimin e një diktature absurde që në Ballkan prodhoi vetëm regres, dhunë e mjerim. Ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini, priti në Romë kryeministrin e Qeverise së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi. Në konferencën për shtyp, ministri Dini kërkoi bashkëpunimin e UÇK-së me perendimorët, duke iu përmbajtur dokumentit të Rambujesë. Ndërsa Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në këtë konferencë se deomos do të bashkëpunojë. Gjithashtu, ai bëri të qartë se nuk do të sulmohen forcat serbe në tërheqje e sipër.

Me rastin e përfundimit të luftës në Kosovë, ministrat e jashtëm të G-8 bëjnë sot përgatitjen për miratimin e paqes dhe të stabilitetit të Ballkanit.   Këshilli i Aleancës së Atlantikut, ka miiratuar tërheqjen e trupave ushtarake jugosllave nga Kosova. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, ka vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes teknike dhe ushtarake nga gjenerali Majkëll Xhekson, është moment i rëndësishëm për kauzën e drejtësisë dhe për popullin e Kosovës. Ai, ka njoftuar se pezullimi i sulmeve do të bëhet atëhere kur komandanti i NATO-s për Evropën, do të ketë verifikuar në terren fillimin e tërheqjes së trupave të ushtrisë jugosllave nga Kosova.

Stet Tatbot, zëvëndëssekretar i shtetit amerikan sot në Moskë, përjashtoi çdo zonë të veçantë ruse në Kosovë nën drejtimin e saj. Një deklaratë të tillë bëri edhe zonja Medlin Olbrajt: Komanda do të jetë unike në Kosovë dhe do të drejtohet nga NATO-ja. Sipas Pentagonit, tërheqja do të fillojë në veri të Kosovës dhe për këtë forcave serbe, u është lënë dy ditë afat. Ndërsa forcat ushtarake serbe në jug të Kosovës, duhet të largohen për pesë ditë të tjera. Brenda 11 ditësh, do të kryhet zhvendosja e përgjithshme e trupave serbe nga Kosova.

Ushtria jugosllave, pritet të fillojë tërheqjen në këto momente. Kjo tërheqje është shumë sinjifikative, pasi as vetë serbët nuk po e besojnë fundin kaq të shkurtër të tyre. Zakonisht, ushtritë e vendeve diktatoriale janë shumë megalomane. Së pari, tërheqja e ushtrisë jugosllave do të fillojë në rajonin e Podujevës,- deklaroi komandanti i Kopormatës së tretë të ushtrisë jugosllave që mbulon Kosovën, ndërsa në Mitrovicë, tërheqja filloi sot në orën 13,30. Këshilli i Sigurimit i OKB-së shpalli Rezolutën 1244, e cila u miratua me rezultatin e votimit 14 me 0. Vetëm Kina ka abstenuar.

Edhe pse njoftohet për tërheqje të ushtrisë jugosllave, kanë vazhduar ende provokimet në vijën e kufirit me Prefekturën e Kukësit. Kështu, me artileri të rëndë 120 mm, janë goditur fshatrat e rrethit të Hasit, Golaj, Dobrunë, Vlahën, Letaj e Qafë e Prushit. Njoftime për dëmtime në njerëz nuk ka. Eksodi që ndodhi nga dhuna e gjenocidi i fashizmit serb kundër popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, ia ka kaluar përmasave biblike. Kjo tragjedi, që vuri në rrezik kolektivisht një popull, u përballua nga gjithë shqiptarët. Kjo tregon, atë që kombi shqiptar është vital, një popull vërtet i jashtëzakonshëm. Para nëntë vjetësh, Italia u trondit nga njëzet mijë shqiptarët që kaluan detin në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa Shqipëria përballoi gjithë këtë tragjedi, duke lënë të habitur edhe shtetet tepër potenciale.  Sipas USAID-it, është përcaktuar mënyra se si do të kthehen në shtëpitë e tyre kosovarët e dëbuar nga trojet e veta etnike. Së pari, do të çminohet kufiri, së dyti, do të dërgohen materialet e nevojshme për rindërtimin e shtëpive, së treti, për të verifikuar gjendjen, do të dërgohen kryefamiljarët, që pas disa muajsh do të marrin edhe familjet. Rikthimi do të fillojë nga Kukësi.

E premte, 11 qershor 1999

Me rastin e deklarimit të fitores së NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli kapitullimin me turp të ushtrisë agresore jugosllave, presidenti amerikan, Bill Klinton, i drejtohet kombit të vet me këto fjalë: Arritëm një fitore për një botë më të sigurt. Kemi bërë atë që duhej bërë, e kemi bërë atë si duhet dhe do ta realizojmë qëllimin. Vërtet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, përcakton pikët e parashtruara nga NATO-ja dhe forcat e agresorit po tërhiqen, por nuk është përcaktuar drejt statusi i Kosovës. Rezoluta e lë përsëri Kosovën nën administrimin e Jugosllavisë së vdekur, një akt që pas gjithë kësaj lufte kurrë më nuk mund të ndodhë.

Mbrëmë gjithë natën dhe sot, situata është e pasigurt në rrethin e Hasit. Ushtria e shpartalluar jugosllave, kërkon të lërë pas kapitullimit dhe ikjes përgjithmonë nga Kosova një tokë të djegur, - shprehet në raportin e tij radiofonik gazetari Nexhat Çoçaj. Fshatrat e Kosovës janë në flakë. Ato po digjen nga ushtarët dhe paramilitarët në tërheqje e sipër. Edhe në fshatrat e rrethit të Hasit e të Tropojës, po tenton të bëjë të njëjtën gjë, - thekson ai. UÇK-ja, deklaron se nuk do të sulmojë ushtrinë serbe në tërheqje e sipër. Ajo, në të ardhmen, do të respektojë të drejtat e pakicave etnike në bazë të ligjeve ndërkombëtare dhe kurrsesi nuk do të veprojë ashtu siç bëri shteti serb ndaj shqiptarëve.

Sipas drejtorit të Drejtorisë të Arsimit të Rrethit të Kukësit, Islam Gjana, janë vënë në funksion 26 shkolla verore, 18 objekte shtëpi dhe tetë shkolla të improvizuara në kampe. Numri i nxënësve është mbi dhjetë mijë dhe japin mësim 436 mësues, kryesisht të ardhur nga Kosova. Bëjnë përjashtim këtu, drejtorët e shkollave të rrethit të Kukësit që ndihmojnë drejtuesit e shkollave kosovare. Është problem paisja me bazë materiale e shkollave nëpër kampe.

Për të ndjekur ecurinë e fillimit të vitit të ri shkollor të fëmijëve kosovarë, sot në Kukës ishte, Muhamet Bicaj bashkë me Ministrin e Arsimit të Qeverisë Majko, Ethem Ruka dhe ambasadorin e UNICEF-it, Roberto Laurent. Është kthyer besimi te shqiptarët e dëbuar. Ata realisht i besojnë një paqeje në Kosovë. Tani po prekin me duart e tyre lirinë. Në një sërë opinionesh që morëm sot, ndihet qartë optimizmi i kthimit në vatrat e tyre. Sigurisht shtëpitë nuk i kemi, por kemi tokën e stërgjyshërve, kemi dhuratën e zotit, - shprehen ata.

Mjeku kirurg i spitalit të qytetit të Bajram Currit, Rasim Madani, deklaron se spitali i këtij qyteti është shndërruar me kohë në qendër të shërimit të ushtarëve të lirisë, që janë plagosur në përleshje me armikun.  Ka filluar një tablo krejt tjetër për Kukësin. Banorët që janë larguar nga Kukësi për në rrethet e tjera, kanë filluar të kthehen përsëri këtu për të qenë të gatshëm në kalimin sa më shpejt nga porta e shpresës për në shtëpitë e tyre. Janë kthyer sot në Kukës, më shumë se 1.200 veta dhe deri në mbrëmje priten edhe dy mijë të tjerë.

Musa Ulqini, Ministër i Informacionit bashkë me gazetarin kosovar të gazetës Koha ditore, Baton Haxhiu, ishin sot në Kukës. Gazetari Baton Haxhiu, i cili mori pjesë në mbledhjen e Shtabit të mbikëqyrjes në Prefekturën e Kukësit, u shpreh se pas përfundimit të krizës Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të veçanta me qytetin e Kukësit. Bashkë me ta ishte edhe motra e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Elisabetë Rubin.

Presidenti italian, Karlo Anxhelo Çiampi, vizitoi Shqipërinë. Ai u takua me presidentin, Rexhep Meidani dhe me kryeministrin Pandeli Majko. Presidenti italian i porsazgjedhur, shprehet për shndërrimin e Adriatikut në autostradë që do të lidhë dy kontinentet - Evropën me Azinë. Ministri i Jashtëm grek, Papandreu, bëri një vizitë në Beograd. Duket se këtë vizitë miku i vjetër i Serbisë e bën në mbështetje të Beogradit. Ai në agjendën e tij, veç takimeve më qeveritarë serbë, ka edhe një plan vizitash në fabrikat dhe objektet e tjera që janë bombarduar nga NATO-ja. Ministri i Informacionit, Musa Ulqini, ishte për një vizitë edhe në mjediset e Radio-Kukësit. Në takimin që pati me gazetarët dhe punonjësit e tjerë, ai falenderoi, në emër të Qeverisë Shqiptare për punën e palodhur në pasqyrimin e të gjitha ngjarjeve të luftës në Kosovë.

Ka filluar punën ujësjellësi i fshatit Lojme, ku janë investuar 540 mijë dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky ujësjellës, furnizon një pjesë të qytetit të Kukësit dhe shërben si rregullator i ujësjellësit kryesor që vjen nga fshati Kolesjan, afro 20 km larg qytetit të Kukësit. Sot, në orën 14:30, u mbyt, ngaqë nuk dinte not, në Liqenin e Fierzës 40 vjeçari Halil Emini, nga fshati Kuk i Opojës, baba i katër fëmijëve.

E shtunë, 12 qershor 1999

Sot në Han të Elezit, në kufirin kosovaro-maqedon, filloi hyrja në territorin e Kosovës e trupave të NATO-s. Në orën 5 të mëngjesit, një autokolonë prej njëzet kilometrash me trupa amerikane, është nisur drejt Prishtinës në zbatim të marrëveshjes së Kumanovës. Janë dy mijë trupat e parë të kontigjentit të NATO-s, që për herë të parë shkelin Kosovën si paqeruajtës. Ata u përcollën nga mijëra banorë shqiptarë. Para nisjes, sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Olbrajt, me një fjalim i përshëndeti ushtarët amerikanë duke vlerësuar lart misionin e tyre historik.

Një ngjarje e rëndë në Kukës. Mbrëmë rreth orës 23,30 një avion britanik i NATO-s, mori flakë pas përplasjes në tokë. Ky avion britanik i transportit C 16, kishte gabuar koordinatat në ulje. Kanë shpëtuar për mrekulli 12 antarë të ekuipazhit, duke u plagosur lehtë 8 prej tyre. Fat i madh ka qenë që ai të mos rrëzohej brenda kampit të UNHCR-së, pranë fshatit Gostil, në të cilin banonin mbi tre mijë banorë të shpërngulur.

Mbrëmë avionët e NATO-s, kanë fluturuar me orë të tëra mbi qytetin e Kukësit duke ndriçuar zonën në shenjë gëzimi për fitoren, por edhe në shenjë respekti për këtë qytet legjendar, i cili mbajti mbi supe barrën më të rëndë të kësaj krize. Pothuajse të gjithë banorët e qytetit të Kukësit dhe fshatrave përreth, qëndruan jashtë pa gjumë. Ata, bashkë me vëllezërit e tyre nga Kosova, të cilët mezi prisnin të ktheheshin në vatrat e tyre, festuan të ngazëllyer këtë fitore historike jo vetëm shqiptare, jo vetëm ballkanike, jo vetëm evropiane, por botërore. Një analist politik i njohur, Andre Gauckman, ka thënë se Evropa lind në një Prishtinë të lirë duke përcaktuar kështu me pak fjalë rëndësinë e kësaj fitoreje.

Presidenti amerikan, Bill Klinton, u bën thirrje shqiptarëve që pas kthimit në Kosovë, të jenë tolerantë me pakicën serbe. Pasi ju të ktheheni në Kosovë, - tha Klinton, - shumë prej jush keni arsye për të qenë hakmarrës, por ju duhet të tregoheni shumë tolerantë. Kjo është esenciale. Shqiptarët, në të vërtetë, janë tolerantë, sepse historia e tyre është e tillë. Ajo është ngritur mbi shtyllat e mirëkuptimit. Gjithashtu presidenti, Bill Klinton, bëri thirrje për të gjithë shqiptarët të mos nguten për t'u kthyer sa më shpejt në Kosovë, pasi terreni është i minuar.

Vazhdojnë të vijnë në Kukës, kosovarë nga rrethet e tjera. Vetëm sot, erdhën mbi 3 mijë persona, kryesisht nga Tirana e Durrësi. Me një ceremoni të jashtëzakonshme, krejt spontane, janë pritur trupat gjermane, të cilat në kuadër të forcës paqeruajtëse do të futen nesër në qytetin e Prizrenit përmes pikës së Morinit.

Sonte u pajisëm me leje nga ushtarakët e NATO-s që do të na shërbejë për t'u futur nesër, bashkë me trupat gjermane, në qytetin e Prizrenit. Pothuajse të gjithë gazetarët që ishin në Kukës, morëm lejet dhe mezi presin të jenë në pikëkalimin e Morinit për të udhëtuar drejt qytetit të Prizrenit tonë historik, drejt kryeqytetit të natyrshëm të gjithë shqiptarëve. Nuk e besonim se po ndodh e kundërta kaq shpejt. Pika e kalimit në fshatin Morin, u shndërrua nga porta e dhimbjes së madhe, në portë të realizimit të ëndrrës shekullore, aspiratës së jetës së lirë e sovrane.

Një zhvillim i çuditshëm ka ndodhur. Rusët, rendën të marrin aeroportin e Prishtinës. Ishin 150-200 trupa ruse që mbërritën në Kosovë dje, pa asnjë marrëveshje. Për këtë ngjarje sekretari amerikan i Mbrojtjes, Uliam Kohen, tha se: ... ky nuk është ndonjë problem. Tani në Kosovë, është sovrane një forcë ushtarake që drejtohet nga NATO-ja. Natën vonë në CNN ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, ka kërkuar falje për aktin dhe ka premtuar, se do të tërhiqen, pasi është vepruar pa urdhër të qeverisë ruse. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk pranon një zonë ruse në Kosovë. Ajo deklaroi, se do t'i trajtojë ata si armiq të shqiptarëve.

E diel, 13 qershor 1999

Ditë historike për popullin e Kukësit, të Kosovës dhe gjithë Shqipërisë. Historia po na kalon nëpër duar. Që të mos harrohet, ajo duhet të mbahet mend fort nga të gjithë shqiptarët. Një popull që harron historinë e tij, nuk meriton të jetojë. Veçmas, popujt nuk duhet të harrojnë historitë e tyre tragjike, sidomos ato etapa të përgjakshme që kanë kaluar t'u shërbejnë për të ndërtuar të ardhmen sa më të ndritur e të begatë.

I gjithë Kukësi dhe mbi 100 mijë banorët kosovarë, sot në mëngjes, kishin mbushur rrugët e qytetit për të përcjellë trupat ushtarake gjermane që do të hynin në Kosovë. Rreth orës 12, ushtarët serbë dorëzuan pikën e doganës së Vërmicës bashkë me armatimin përpara autoriteteve ushtarake gjermane. Në orën 13 marshuam për në Prizrenin e lavdishëm të shqiptarëve. Të 1.200 trupat gjermane, që në përbërje të forcave ndërkomëtare paqeruajtëse do të vendosen në Kosovë, u përcollën me entuziazëm nga mijëra banorë të Kukësit dhe kosovarë të dëbuar nga rregjimi gjakatar i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviç.  

Bashkë me trupat gjermane, u futën në qytetin e Prizrenit edhe më shumë se një mijë gazetarë nga gjithë bota. Deklarata e ministrit të Jashtëm rus, Igor Ivanov, ishte një farsë. Mbrëmë presidenti rus, Boris Jelcin, dekoroi gjeneralin rus Zevazin, i cili dy ditë më parë u fut me rreth 200 trupa në Kosovë. Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare, jep një intervistë në radion Zërin e Amerikës dhe falënderon botën, e cila më në fund ka kuptuar, se serbët janë barbarë, ndërsa shqiptarët pjesë e Evropës.

Qeveria e Përkohshme e Kosovës, përmes ministrit të saj të mbrojtjes, Azem Syla, me thirrjen nr. 40/2 të 13. 6. 1999, i drejtohet popullit të Kosovës, se pas tërheqjes së okupaorit serb nga Kosova, sidomos nga kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, është krijuar një situatë tepër e rrezikshme për popullsinë civile. Sipas informacioneve që kemi, përgjatë gjithë brezit kufitar, por edhe në thellësi të territorit të Kosovës, përveç minimit të brezit kufitar, janë minuar edhe qytetet, lagjet, fshatrat, shtëpitë e sendet e domosdoshme.... Përmes kësaj thirrjeje, i bëhet apel popullit të Kosovës që po kthehej në shtëpitë e veta, të ketë kujdes dhe të kthehet nga Shqipëria në mënyrë të organizuar, pasi të jenë siguruar nga ekipet e specializuara të UÇK-së që po punojnë në bashkëpunim me forcat aleate për të çminuar terrenin.

Mundja e Kaosit

Atë që po bën populli juaj, rrallë ndonjë  popull e bën. Sadako Ogata

Vlerësimi i gjendjes

Përballë gjithë kësaj tragjedie njerëzore, patjetër që kërkohej një organizim i përsosur e tepër efikas. Situata duhej përballuar, për të mos ndodhur katastrofa. Duhej përballuar të gjitha problemet e shumta që lindnin orë e çast. Lajmet plaken, sapo lindin. Sapo qetësohej në një farë mase një shqetësim, vinte tjetri më i madh. Komuniteti ndërkombëtar, Qeveria shqiptare e pushteti lokal në Kukës ishin të ndërgjegjshëm për punën e madhe dhe vështirësitë. Detyrë e parë për të përballuar situatën, ishin koordinimi e mirëkuptimi në të gjitha nivelet e pushtetit. Ishte e domosdoshme një strukturë organizuese e efektshme, ku secili kishte obligimin dhe përgjegjësinë e vet. Dhe realisht kështu u veprua. U  krijua një shtab i përbashkët, që drejtoi në mënyrë të shkëlqyeshme situatën në çastet më të vështira të pragtragjedisë njerëzore në Kukës. Prefektura e Kukësit, organizmat drejtues vendorë dhe mbi të gjitha populli i kësaj treve kishin t'i tregonin botës se shqiptarët dinë të ndalin të keqen e të përballojnë vështirësitë që u kanosen.

Gjendja para krizës

Prefektura e Kukësit e kishte marrë para një viti paralajmërimin se një popull i tërë mund të shpërngulet, kur në dyert e saj trokitën mbi 20 mijë shqiptarë të dëbuar dhunshëm nga pushtuesi serb. Që nga ajo kohë në qytetin e Bajram Currit, u ngritën struktura në nivel shtetëror e vendor për të drejtuan këtë situatë. Prej asaj here, në Prefekturën e Kukësit, kishte mbetur një numër shqiptarësh të dëbuar nga Kosova, pa patur mundësi të kthehet në shtëpi. Ata u vendosën kryesisht në Kukës e Has, nën përkujdesjen e shtetit shqiptar dhe të disa organizatave humanitare vendore e të huaja. Gjendja e të dëbuarve nga Kosova, para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi objektet strategjike e ushtarake në Jugosllavi, nuk ishte aq shqetësuese. Prefektura e Kukësit kishte një përvojë të organizimit për situatat e këtilla. Në vitin 1998, mbi 20 mijë shqiptarë kosovarë ishin dëbuar në Shqipëri, kryesisht nga Rrafshi i Dukagjinit e rajonet e tjera përreth. Vendpritje e shqiptarëve kosovarë në atë kohë, qe rrethi i Tropojës që  bën pjesë në juridiksionin e Prefekturës së Kukësit. Edhe atëherë u ngrit një komision qeveritar që do ta drejtonte situatën, ndërsa i dërguar i posaçëm i kryeministrit në rrethin e Tropojës ishte Taulant Dedja, i cili gjatë gjithë kohës qëndroi në këtë rreth. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, një përvojë të madhe patën fituar edhe administrata e Prefekturës së Kukësit dhe organet e pushtetit lokal, si këshillat e rretheve, bashkitë dhe komunat që ishin faktorë shumë të rëndësishëm për tejkalimin e vështirësive. Më 21 mars 1999, shefi i Zyrës për refugjatë në Prefekturën e Kukësit, Ukë Toda, informoi zyrën e vet në Tiranë dhe Prefektin Qemal Elezi, për verifikimin e numrit të saktë të refugjatëve në gjithë territorin e prefekturës. Ky verifikim i Zyrës për refugjatë, qe bërë gjatë periudhës 1-20 mars 1999, në bashkëpunim me shoqatën humanitare kosovare Ulpiana dhe disa organizma të tjerë humanitarë. Gjendja e vendosjes së tyre në dy rrethet e Prefekturës, të Kukësit dhe të Hasit, ishte si më poshtë:
  

Tabela nr. 1

Nr    

Rrethi

Numri refugjatëve

Në familje

Qendra kolektive

 

1

Kukës

251

161

90

2

Has

401

294

107

3

Gjithsej

652

455

197

 

Pra, Prefektura e Kukësit, para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi objektet strategjikë e ushtarakë në Jugosllavi, kishte 652 të dëbuar nga Kosova. Ky numër nuk ishte statik, por qe shtuar kohët e fundit, sepse nga rrethet Tropojë, Durrës, Shkodër e Tiranë kishin ardhur edhe 49 banorë të tjerë të dëbuar në Kukës, ndërsa 27 në rrethin e Hasit. Në Kukës, ato u vendosën në godinën e kopshtit të Lagjes numër 3 të këtij qyteti dhe disa prej tyre pranë të afërmëve të tyre në Kukës, ndërsa 4 familjet me 27 anëtarë që kishin ardhur në rrethin e Hasit, u vendosën në godinën e refugjatëve në qytetin e Krumës. Realisht, gjendja e tyre nuk përbënte problem në këtë periudhë, jo vetëm për shkak të numrit të vogël të të dëbuarve, por edhe të kujdesit të vazhdueshëm nga shteti shqiptar dhe asosacionet ndërkombëtare. Ndihma e tyre me ushqim e veshmbathje, ishte krejtësisht e rregullt dhe pa probleme. Përveç atyre që ishin vendosur në qendrat kolektive në qytetet Kukës e Krumë, pjesa tjetër e banorëve kosovarë të dëbuar, ishte rregulluar në 58 familje hasjane dhe 17  kuksiane. Zyra për refugjatë në Tiranë e Kukës, shteti shqiptar dhe pushteti vendor, ishin shumë të ndjeshëm për trajtimin e banorëve shqiptarë nga Kosova që ishin shpërngulur me dhunë nga territoret e tyre etnike gjatë vitit 1998, por edhe në periudha të tjera. Gjithashtu, një ndihmë të jashtëzakonshme për të dëbuarit, kanë dhënë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, UNHCR-ja, HCC-ja etj.

Përpjekjet për t'i dalë  përpara së keqes

Ashtu sikurse koha që vjen e vrenjtet dhe njerëzit shpejtojnë hapat për t'i ikur rrebeshit, në të njëjtën mënyrë, retë e zeza të luftës po afroheshin në Kosovë. Këtë e kuptoi gjithkush. Pushteti vendor dhe Prefektura e Kukësit, si rajon pranë luftës, filloi me shpejtësi e zhdërvjelltësi masat për të përballuar çdo eventualitet. Dëbimi i më shumë se 20 mijë shqiptarëve të Kosovës në vitin 1998, ishte një përvojë për të gjithë. Prandaj, pritej shkallëzimi i terrorit shtetëror serb tani kur kontrakdiktat ndëretnike ishin ashpërsuar në kulm. Në kushtet e agresivitetit kolektiv barbar të serbëve kundër shqiptarëve të pambrojtur, sigurisht që përveç gjakderdhjes e përdhunimit edhe dëbimi i banorëve nga shtëpitë e tyre, do të ishte shumë më i madh se një vit më parë. Pas mosrespektimit të marrëveshjes Holbruk-Milosheviç, të mesit të tetorit 1998, në Kosovë u instaluan më shumë se 50 mijë trupa ushtarake, paramilitare dhe policore të armatosur deri në dhëmbë. Jugosllavia e mbetur, me këtë akt antinjerëzor, dëshmonte qartë synimet pushtuese ndaj Kosovës duke mos përfillur asnjë marrëveshje a tratativë tjetër ndërkombëtare. Bisha e plagosur për vdekje, është tepër e rrezikshme, prandaj gjithçka mund të pritej nga ky lloj shteti fashist që nuk respektonte as të drejtat më elementare të njeriut. Shteti serb, nën petkun e një Jugosllavie inekzistente, jepte shenja se do të përdorte të gjitha mjetet e dhunshme mbi popullin e pambrojtur shqiptar të Kosovës. Kështu, ishte e qartë se konflikti ishte i pashmangshëm. Prandaj, lindi domosdoja e marrjes së një sërë masash të gatishmërisë për krizën e ardhshme. Prefektura e Kukësit, për shkak të pozicionit gjeografik, pritej të mbante mbi supe tërë peshën e gjendjes që do të krijohet. Shteti shqiptar, duke patur të qartë se ç'do të ndodhte, nisi me kohë përpjekjet për të ndihmuar sa më shumë dhe në të gjithë drejtimet këtë rajon. Njëkohësisht, filloi punën në të gjitha prefekturat e vendit në drejtim të përgatitjes së mjediseve të strehimit dhe të grumbullimit të rezervave ushqimore. Për shtetin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër: së keqes i duhej dalë përpara. Të ndërgjegjshëm, për gjithçka që po gatuhej, drejtuesit e Prefekturës së Kukësit dhe të pushtetit vendor, filluan me kohë përgatitjet e mobilizimin në të gjitha drejtimet. Më 24 mars 1999, formohet komisioni i posaçëm për të gjithë problemet, që mund të shkaktohen nga lufta në Kosovë, kur pikërisht në këtë ditë aeroplanët e Aleancës së Atlantikut, sulmuan objektet strategjike e ushtarake të Jugosllavisë. Në këtë mbledhje, merrnin pjesë të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, të bashkive, të këshillave të rretheve e të komunave. Ishin të pranishëm edhe drejtues të njësisë ushtarake të Kukësit, të rendit, drejtorë institucionesh e ndërmarrjesh, përfaqësues të medias lokale e qendrore etj. Në këtë takim tepër të rëndësishëm, u ngrit Komisioni emergjent, në përbërjen e të cilit ishin drejtues të organeve vendore, të ushtrisë, policisë e institucioneve. Komisioni merrte përsipër barrën e rëndë të krizës, duke caktuar detyrat për drejtuesit e organeve vendore dhe institucionet sipas sektorëve që mbulojnë. Këto detyra u shpërndanë përmes shkresave të veçanta, siç janë ato të 24.3.1999 dhe 25.3.1999, të nisura në adresë të organeve të pushtetit vendor, ku kërkohej marrja e masave të menjëhershme për përballimin e situatës në kohë të veçantë. Ndër të tjera, për kryetarët e komunave dhe të bashkive të rretheve, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve të prefekturës, shtroheshin këto detyra:

a) Komisionet e situatës së jashtëzakonshme, që janë ngritur pranë këshillave të rretheve, bashkive dhe komunave të marrin të gjitha masat e duhura për organnizimin e mbrojtjes së popullatës nga goditjet e mundshme ajrore e artilerike.

b) Brenda 27.3.1999, të gjithë vendstrehimet e popullatës në 3 rrethet e Prefekturës të jenë në gatishmëri të plotë duke bërë pastrimin dhe ndriçimin e tyre.

c) Të bëhet instruktimi i popullatës civile për sinjalet e goditjes kundërajrore.

d) Të bëhet rindarja e strehimeve, shoqëruar me prova gatishmërie për çdo lagje e pallat.

e) Të jetë në gatishmëri të plotë dhe të funksionojë plotësisht vendkomanda e kohës së veçantë.

f) Të mbahet nën kontroll gjendja e rezervave ushqimore, si dhe të merren masa nga shteti dhe biznesmenët privatë për të grumbulluar rezerva të tjera ushqimore, sidomos miell, grurë, vaj, makarona, oriz, deterxhente etj.

g) Të merren masat e duhura për të përballuar situata të papritura shëndetësore dhe të mbahen nën kujdes të veçantë qendrat kolektive, si shkollat, kopshtet e çerdhet etj.

Për të gjitha këto probleme e shqetësime që priten në ditët në vazhdim, u ngarkuan për zbatim kryetarët e këshillave të rretheve, të bashkive dhe të komunave. Shkresat e kësaj natyre në formë urdhëri, këto ditë ishin të njëpasnjëshme dhe dërgoheshin në adresë të organeve nga Komisioni për situatën e jashtëzakonshme. Komisioni i ngritur për t'i dalë së keqes përpara, gjatë gjithë këtyre ditëve, ishte tepër korrekt dhe i vëmendshëm për çdo veprim që bëhej nga strukturat e pushtetit lokal në të tre rrethet e Prefekturës së Kukësit. Siç shihet, në popull po jepej sinjali, se lufta është në prag, andaj çdo banor duhej të jepte kontributin e vet. Duhej përgatitur rreth 150 mijë banorë të Prefekturës së Kukësit, jo vetëm psikologjikisht, por të mobilizoheshin realisht në të gjithë drejtimet. Komisioni i ngritur, vlerësonte jashtëzakonisht lart kontributin që do të jepte vetë populli i Prefekturës së Kukësit. Gjithkush duhej ta dinte, se konflikti nuk kishte pasoja vetëm në Kosovë, por ato do të shtriheshin edhe te ne e më gjerë.  Pas takimit të 24 marsit 1999, nga tre rrethet e Prefekturës, Kukës, Has dhe Tropojë, raportohet prej personave përgjegjës të ngarkuar nga komisioni se janë vënë në gatishmëri 95 për qind e vendstrehimeve.Të  57 vendstrehimet që ka Kukësi, duke llogaritur edhe bodrumet private, kanë një kapacitet strehimi për më shumë se 10 mijë banorë dhe përgjithësisht janë të gatshme. Problem mbetej ndriçimi i tyre, por nuk kërkonte shumë punë e kohë për ta rregulluar. Edhe në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, janë pastruar e vënë në funksion 8 vendstrehime. Aktualisht është problem vetëm ndriçimi në dy prej tyre. Në këto vendstrehime mund të strehohen më shumë se dy mijë banorë. Në zbatim të urdhërit të Komisionit për situatën e jashtëzakonshme, edhe rrethi i Tropojës ka bërë punë të kënaqshme duke vënë në funksion 9 vendstrehimet, ku mund të strehohen më shumë se 3 mijë banorë. I vetmi problem, sipas kryetarit të Bashkisë së qytetit Bajram Curri, ishte ndriçimi i strehimoreve. Për këtë arsye, prefekti, Qemal Elezi, si kryetar i Komisionit për situatën e jashtëzakonëshme, përmes një shkrese në adresë të Qeverisë shqiptare, kërkoi një fond urgjent në shumë 4.4 milionë lekë për të normalizuar plotësisht gjendjen në vendstrehime. Nga ky komision, u shtruan këto ditë edhe nevojat për furnizim me ushqime. Duke parë se rreziku më i madh parashikohej në Prefekturën e Kukësit, edhe rëndësia u përqendrua këtu nga shteti shqiptar. Një përkushtim dhe rëndësi të posaçme, treguan edhe organizmat evropianë, si Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Krahas përgatitjes së masave të shtetit shqiptar dhe organizmave vendorë të juridiksionit të Prefekturës së Kukësit, edhe biznesmenët morën masat e tyre, sidomos ata që tregtojnë mallra ushqimore. Përpjekja e biznesmenëve privatë, u vlerësua shumë nga të gjithë nivelet dhe u ndihmuan e nxitën nga shteti. Tani kishim një rezervë të konsiderueshme ushqimesh. Këto rezerva, në asnjë rast nuk mund të plotësonin nevojat e gjithë atyre që mund të dëboheshin, por të paktën krijonin mundësi që shteti dhe organizatat e huaja humanitare të merrnin masa të tjera. Pas fillimit të dëbimit, gjithçka dukej ndryshe. Askujt, nuk ia merrte mendja se situata do të konvergonte deri në atë masë, sa të kalonte edhe parashikimet e organizmave të specializuar. Vetëm katër ditë pas fillimit të deportimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Kosova, numri i tyre arriti në rreth 150 mijë veta. Të gjitha rezervat ushqimore, u mbaruan që në fillim konsideroheshin të mjaftueshme për një periudhë kohore relativisht të gjatë. Ndikoi shumë në këtë drejtim edhe krijimi i një psikologjie te banorët, të cilët grumbulluan në shtëpitë e tyre rezerva ushqimore shumë më tepër sesa u nevojitej.

Sidoqoftë, ditën kur filloi ardhja e të dëbuarve të parë në Kukës, më 27.3.1999, në Prefekturën e Kukësit, sipas specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit (DBU), ishte kjo gjendje e rezervave ushqimore:

Tabela nr. 2

Nr

Rrethi

Grurë ton

Miell ton

Sheqer ton

Oriz ton   

Makarona ton

Vaj

 ton

1

Kukës

1.600

200

22

20

25

13

2

Has

   625

  80

20

15

20

10

3

Tropojë

   275

  90

13

  8

10

13

4

Prefekt.

2.500

370

55

43

55

36

 

Komisioni i ngritur në Prefekturën e Kukësit, porosit që furnizimi të mos mbetet vetëm në dorën e biznesmenëve, por kërkoi edhe ndihmën e shtetit. Duke patur parasysh se Prefektura e Kukësit ka një numër prej 146 mijë banorësh, përkatësisht rrethi i Kukësit 81 mijë banorë, i Hasit 22 mijë dhe rrethi i Tropojës 43 mijë banorë, kjo rezervë ushqimore llogaritej të sigurojë nevojat e kësaj popullate për rreth dy muaj. Prandaj, lindi domosdoshmëria e kërkesës së rezervave të tjera të konsiderueshme nga shteti, për të përballuar flukse të paparashikueshme të shqiptarëve që mund të vinin nga Kosova në ditët në vijim. Komisioni i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, përmes një sërë shkresash, i kërkoi Qeverisë shqiptare nëpërmjet Ministrisë së pushtetit lokal, furnizimin për gjitha rrethet e Prefekturës me afro 2.000 ton miell, 200 ton vaj, rreth 300 ton oriz, sasi të konsiderueshme sheqeri, makaronash, deterxhente etj. Shteti shqiptar, u tregua i gatshëm ndaj kërkesës së komisionit të Prefekturës. U sensibilizuan kështu të gjitha strukturat drejtuese për marrjen e masave, me synim të përballimit të katastrofës humanitare që po avitej me shpejtësi dhe po kërcënonte seriozisht, jo vetëm banorët e dëbuar nga Kosova, por edhe banorët e Prefekturës së Kukësit.

Detyra të vështira që kërkonin zgjidhje

Më 27.3.1999, mbahet mbledhja e Shtabit të mbrojtjes nën drejtimin e Prefektit të Kukësit, Qemal Elezi, ku përcaktohen detyra në detale për pushtetin lokal në të gjitha drejtimet, si ato ekonomike, sociale, shëndetësore etj. Për masat që u përcaktuan në këtë takim, ku morën pjesë drejtues të këshillave të rretheve, të bashkive, të komunave, drejtues ndërmarrjesh e institucionesh, përfaqësues nga njësia ushtarake dhe ajo e rendit, u informua urgjent edhe qeveria shqiptare, me qëllim që të fillojë ndihma sa më shpejt. Vetëm një ditë më vonë, pra më 28.3.1999, tregu i qytetit ishte në gjendje alarmante. Për shkak të ardhjes brenda dy ditëve të rreth 100 mijë banorëve të shpërngulur nga rajone të ndryshme të Kosovës, pothuajse të gjithë mallrat ushqimore mbaruan. Në këto kushte, Qeveria shqiptare, merr Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.127, datë 28.3.1999, "Për disa masa të përballimit të situatës emergjente të krijuar nga ardhja e popullsisë shqiptare nga Kosova". Krijohet edhe Komisioni qeveritar për përballimin e situatës emergjente, që kishte për detyrë organizimin, ndjekjen dhe administrimin e kësaj situate krize. Ky komision, sipas këtij vendimi të firmosur nga kryeministri, Pandeli Majko, drejtohej nga zëvendëskryeministri dhe kishte në përbërje ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Rendit publik, ministrin e Pushtetit lokal, ministrin e Financave, ministrin e Punëve të jashtme, ministrin e Punëve publike dhe të transporteve, ministrin e Shëndetësisë, ministrin e Punëve dhe çështjeve sociale, zëvëndësministrat e bujqësisë, të arsimit dhe drejtorin e rezervave të shtetit. Vendimi i Këshillit të Ministrave, kërkonte që në çdo Prefekturë të ngriheshin komisionet e pritjes që do të mbikëqyrnin situatën. Këto komisione drejtoheshin nga prefektët dhe përbëheshin nga sekretarët e përgjithshëm, kryetarët e këshillave të rretheve, kryetarët e bashkive, drejtori i policisë, komandanti i njësisë ushtarake, si dhe titullarë institucionesh, sipas përcaktimit që do të bënte prefekti. Vendimi i Këshillit të Ministrave, shërbeu si bazë e ngritjes së shtabeve të mbikëqyrjes së situatës, jo vetëm në prefektura, por edhe në organet e qeverisjes vendore. Për rrethin e Kukësit, që kishte barrën kryesore të gjithë krizës, ky vendim i Qeverisë kishte rëndësi të posaçme. Menjëherë pas këtij vendimi, atë ditë në Kukës ngrihet Shtabi i mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme. Me vendimin nr.1 të 28.3.1999, "Për organizimin e strukturave të drejtimit të situatës së jashtëzakonshme", përcaktohen strukturat e drejtimit dhe mënyrën e organizimit gjatë gjithë periudhës së krizës. Ky shtab, njëherësh, zëvendësonte komisionin e ngritur më 24 mars 1999. Mbi bazë të këtij vendimi, krijohet Komisioni i drejtimit dhe nënkomisionet, sipas detyrave të përcaktuara për t'u kryer. Ky organizëm i ri i përbashkët, i ngritur me synim të mbikëqyrjes së situatës së luftës në Kosovë, do të veprojë sipas strukturës së mëposhtme:

1. Kryetar      Qemal Elezi,        Prefekt i Kukësit´

2. Zv/kryetar  Fadil Gjuta,        Sekretar i Prefekturës

3. Zv/kryetar   Shefqet Bruka,    Kr. Kësh. të Rrethit të Kukësit

4. Zv/kryetar  Safet Sula,          Kryetar i Bashkisë së Kukësit

5. Anëtar       Jonuz Hyka,        Drejtor i Drejtorisë së Policisë

6. Anëtar       Myftar Nerguti,    Kr. i Komunës së Tërthores

7. Sekretar    Dëfrim Korbi,     Jurist i Prefekturës së Kukësit

Funksionimi i shtabit të mbikëqyrjes

Pas ngritjes e vënies në funksion të grupit të drejtimit, u ngritën sipas një skeme edhe grupet të tjera me detyra specifike. Kështu, grupin e pritjes dhe të të ardhurve nga Kosova e drejtonte Xhevit Gërmizi, ndërsa Nazmi Biba grupin e shpërndarjes dhe të regjistrimit të banorëve shqiptarë të dëbuar nga Kosova. Grupi i evakuuimit për në rrethet të tjera, drejtohet nga Qemal Parllaku, grupi i furnizimit nga Bukurosh Onuzi, i shëndetësisë nga Esat Elezi dhe grupi i informacionit drejtohet nga zëdhënësi i prefekturës Emri Peca. Dy ditë më vonë, për shkak të mangësive në organizimin e punëve të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, merret vendimi nr.3 i Qeverisë, më 30.3.1999, "Për një ndryshim në pikët 2/1, 3/1 dhe 5/1 të vendimit nr.1, datë 28.3.1999 të Shtabit të situatës emergjente". Ky vendim, përcakton zotin Shefqet Bruka, Kryetar i Këshillit të Rrethit, në cilësinë e zëvendëskryetarit të shtabit që të drejtonte Komisionin e furnizimit të të ardhurve nga Kosova me artikujt emergjentë të ushqimit; zotin Fadil Gjuta, Sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës, në cilësinë e zëvendëskryetarit të shtabit, që do të drejtonte grupin për evakuuimin e të ardhurve për në rrethet e tjera dhe zotin Safet Sula, Kryetar i Bashkisë të qytetit të Kukësit, në cilësinë e zëvendëskryetarit të shtabit e përgjegjës i grupit të strehimit të përkohshëm dhe regjistrimit të banorëve të ardhur nga Kosova. Për këtë strukturë të re, të ngritur pas vendimit nr.127, datë 28.3.1999 të Këshillit të Ministrave, u përcaktuan në detaje detyrat, që nisin nga pikë kalimi në Morin, regjistrimi, organizimi i lëvizjes, sigurimi i masave për të mos ndodhur asnjë incident, vendosja nëpër familjet kuksiane dhe qendrat kolektive, evakuuimi për në rrethet e tjera në brendi të vendit, furnizimi me ushqim e veshmbathje, sigurimi i asistencës së domosdoshme mjekësore, organizimi i informacionit të shpejtë e real dhe shumë çështje të tjera. Ngritja e funksioni normal i Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, që lindi për të përballuar problemet humanitare, për shkak të luftës në Kosovë, cilësohet si një arritje tejet e suksesshme e organeve vendore në Prefekturën e Kukësit. Bashkëpunimi efektiv e shumë i mirë i organizmave të pushtetit vendor, Prefekturës dhe institucioneve të kaheve politike të ndryshme, garantoi një punë tepër të cilësore e mirëkuptuese. Ky veprim energjik i shtabit në drejtim të organizimit të punës për të zgjidhur lumin e problemeve, shënon shembullin klasik të mirëkuptimit e koordinimit të përpjekjeve dhe kontributeve të organeve e institucioneve. Qëllimi i përbashkët, ishte tejkalimi krizës humanitare që kishte sjellë një popull të tërë në prag të tragjedisë më të madhe njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore.

Veprime të shpejta

Më 29.3.1999, në Kukës, kshte mbi 150 mijë të dëbuar me dhunë nga Kosova. Ritmi i transportit të banorëve nga Kukësi për në rrethet e tjera, në raport me të ardhurit nga pika e Morinit, në drejtim të qytetit të pritjes së madhe, siç do të quhet qyteti i Kukësit, as që mund të krahasohej. Nëse transportoheshin në ditë për në thellësi të vendit 15 mijë banorë, 50 mijë hynin në pikëkalimin e Morinit. U përmbysën pothuajse të gjithë përpjekjet për organizimin e ushqimit dhe vendosjen e banorëve, që kishin lënë shtëpitë e tyre për shkak të masakrave serbe. Përballë kësaj gjendjeje, detyrë mbi detyra ishte furnizimi i shpejtë i banorëve me ushqim e veshmbathje. Mbi bazë të kërkesës, që Shtabi i emergjencës i kishte bërë Qeverisë shqiptare, doli urgjentisht Vendimi i Këshllit të Ministrave Nr. 133, i datës 29.3.1999, "Për disa masa të furnizimit me grurë të Prefekturës së Kukësit dhe përdorimin e tij në përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga ardhja e popullsisë nga Kosova". Vendimi i lartpërmendur i Qeverisë, akordoi 500 tonë grurë, mall rezervë shtetëror, ndihmë e qeverisë rumune, që do të kalojë pa pagesë në administrimin e Prefekturës së Kukësit. Gjithashtu, në bazë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, Prefektura e Kukësit duhej të merrte masat për bluarjen e kësaj sasie gruri, prodhimin masiv të bukës dhe shpërndarjen falas të saj. Kjo masë e Qeverisë shqiptare, një ditë më vonë, pasohet me një vendim tjetër nr. 146, datë 1.4.1999, "Për furnizimin e të ardhurve nga Kosova nga Drejtoria e përgjithshme e rezervave të shtetit". Ky vendim i ri i Qeverisë shqiptare, i përcaktonte detyrën emergjente Drejtorisë së përgjithshme të rezervave të shtetit, që të shpërndante falas 120 ton miell për shqiptarët e dëbuar nga Kosova. Nga ky kontigjent, 60 ton i jepeshin Këshillit të rrethit të Kukësit dhe pjesa tjetër këshillave të rretheve Has e Tropojë. Gjithashtu, Drejtoria e përgjithshme e rezervave të shtetit, në bazë të këtij vendimi, do të bluante një mijë ton grurë, që do t'i mbante rezervë për t’u përdorur në rast nevoje. Vendimet e Qeverisë shqiptare të kësaj natyre, që kishin synim marrjen e masave për furnizimin e popullatës së dëbuar, ishin të njëpasnjshme. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë situatë që kërkonte angazhim serioz dhe punë energjike, Shtabi i mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme në Prefekturën e Kukësit, vendosi të organizojë punën e vet në të gjitha nivelet,  që nga Prefektura, këshillat e rretheve, bashkitë e deri te kryepleqësitë e fshatrave. Grupi i drejtimit dhe grupet e tjera në kuadrin e Shtabit duhej të kryenin detyrat e ngarkuara dhe të raportonin rregullisht dy herë në ditë në Shtabin e Prefekturës, i cili punonte panderprerë derisa të tejkalohej situata. Numri i madh i të ardhurve, sigurisht, nuk mund të përballohej vetëm nga Shtabi i mbikëqyrjes të situatës në Prefekturën e Kukësit, pa ndihmën e shtetit shqiptar dhe pa angazhimin e shoqatave dhe organizmave të huaja huamanitarë. Duke parë si domosdoshmëri, bashkëpunimin dhe përfshirjen e shoqatave humanitare, më 30.3.1999 mbahet një takim pune nga Shtabi i situatës së jashtëzakonshme. Kjo mbledhje, zë një vend shumë të rëndësishëm në kompleksitetin e problemeve e veprimtarive gjatë gjithë periudhës së krizës. Në këtë mbledhje, merrnin pjesë të gjithë anëtarët e Shtabit dhe personat e thirrur. Nga prefekti Qemal Elezi, në cilësinë e kryetarit të Shtabit, u kërkua që UNHCR-ja të jetë koordinatore e të gjitha organizatave të huaja joqeveritare, që ishin aktualisht në Kukës dhe shoqatat e tjera që priten të vijnë në ditët e ardhshme. U kërkua gjithashtu, që një nga përfaqësuesit e UNHCR-së të ishte i pranishëm çdo ditë në mbledhjet e Shtabit për të raportuar lidhur me aktivitetin e OJQ-ve. Situata kishte evoluar shumë shpejt, andaj dhe zgjidhjet duhej të ishin shumë të shpejta, në bashkëpunim edhe me të gjithë organizmat që funksiononin për të njëjtin qëllim. Në këtë mbledhje, u arrit një nga synimet më të rëndësishme për të vepruar bashkërisht, sepse asnjë organizëm nuk mund të vepronte vetë në përballimin e  e shumë problemeve, si strehimi i të ardhurve, ushqimi i tyre, kompletimi me veshmbathje, kujdesi shëndetësor etj. Nga UNHCR-ja, u pranua propozimi i kryetarit të Shtabit të mbikëqyrjes së  situatës së jashtëzakonshme. Që nga kjo ditë, në mbledhjet e përditshme të Shtabit merrte pjesë një përfaqësues i saj, Daniel Enders ose Xhemil Shahu. Edhe përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare, ranë dakord me rolin e UNHCRsë si koordinatore e gjithë aktivitetit të organizatave. Qeveria shqiptare, e drejtuar nga kryeministri, Pandeli Majko, duke qenë e vetëdijshme se mbi supet e saj kishte rënë një barrë e madhe e luftës në Kosovë dhe, se Prefektura e Kukësit kishte përgjegjësi historike e rol të pazëvendësueshëm, nisi urgjent për në Kukës zëvendës kryeministrin, Ilir Meta. Ardhja e tij në Kukës, ndikoi dukshëm në rritjen e nivelit komunikues dhe koordinues të Qeverisë me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës. U krijuan kështu raporte më të afërta pushtet vendor-qeveri-OJQ, veprim që siguroi një kontroll më efikas dhe një organizim më cilësor në zgjidhjen e problemeve. Njëherësh, ky ishte edhe fillimi i transferimit të një pjese të Qeverisë shqiptare në qytetin e Kukësit, ose krijimi i një bërthame qeveritare në këtë Prefekturë, ku gjendja rëndohej nga dita në ditë. Gjatë kësaj periudhe, problemet ishin të ndryshme, komplekse dhe  tepër të vështira, sa dukeshin të pakalueshme. Disa herë gjendja shkonte deri në kufijtë e destabilizimi, që mund të kishte pasoja të paparashikueshme. Ato ditë, u pa e udhës që shumë probleme t'i zgjidhin vetë banorët. Për këtë arsye, ditëve të para disa herë janë lëshuar komunikata, ku kërkohej ndihma e popullit të Kukësit, që pareshtur ishte një shembull i shkëlqyer i bujarisë dhe i dashurisë njerëzore. Komunikatat e Shtabit, ishin edhe sqaruese dhe kanë shërbyer për të orientuar banorët e sapoardhur nga Kosova, të ngarkuar me strese jashtëzakonisht të rënda. Një nga këto komunikata, është edhe ajo  2 prillit 1999, ku njoftohen mbi 150 mijë të dëbuarit nga Kosova në Kukës, se Shtabi i mbikëqyrjes së situatës, bashkë me Qeverinë shqiptare, kanë marrë masat brenda mundësive maksimale për t'i sistemuar të ardhurit, por lypset edhe vetë kontributi i banorëve kosovarë. Kjo komunikatë, porosiste që banorët e ardhur nga Kosova të mos krijojnë konfuzion, të respektojnë këshillat e punonjësve të shtetit shqiptar, të ngarkuar për stabilizimin e gjendjes e të punonjësve të policisë dhe të përdoren me kriter ndihmat humanitare që marrin nga shoqatat etj. Gjithashtu, banorët e ardhur në Kukës, përmes një sërë komunikatash, informoheshin edhe për çmimet aktuale të disa artikujve për kursin e monedhës së huaj në raport me lekun shqiptar, për çmimin aktual të biletës në vijën Kukës-Tiranë etj. Këto sqarime, u bënë edhe për të mos lejuar manipulimet nga persona të pandërgjegjshëm.

Detyrë e pare - strehimi

Një nga problemet kyç, tepër i rëndëshishëm, këto ditë ishte strehimi i banorëve të dëbuar nga Kosova, vendosja e tyre nëpër shtëpi të banorëve, në qendra kolektive, në banesa të braktisura, në institucione me hapësira ku mund të futeshin njerëzit etj. U shfrytëzuan të gjitha mundësitë. Detyra kryesore, ishte parandalimi i katastrofës humanitare, që dukej qartë në horizontin e vrenjtur të luftës. Këto ditë puna e Shtabit të mbikëqyrjes së situatës ishte e madhe, e vazhdueshme dhe tepër komplekse. Vështirësi të mëdha kishte plot në të gjitha drejtimet. Drejtuesit e pushtetit vendor, përveç administratës së Prefekturës dhe drejtuesve të rrethit të Tropojës, nuk ishin ndeshur me probleme të këtilla. Gjendja rëndohej përditë nga fluksi i madh i të ardhurve dhe moria e problemeve të tyre. Ishte krejt e natyrshme që një Shtab i ngritur vetëm dy ditë më parë, nuk mund t'i përballonte të gjithë problemet. Sikur të mos ishte ndihma e popullit të Prefekturës së Kukësit, veçanërisht e qyteteve Kukës e Krumë, vështirë se mund të imagjinohej suksesi i shtabit të ngritur, i shtetit shqiptar dhe organizmave ndërkombëtarë. Në një farë mënyre, anëtari më i mirë e më i sigurt i Shtabit të përballimit të situatës, ishte vetë ky popull bujar. Përballë kësaj prove të vështirë, gjithkush punonte me ndërgjegje, përkushtim e patriotizëm. Thirrjeve të prefektit të Kukësit, Qemal Elezi dhe të kryetarit të Bashkisë së qytetit të Kukësit Safet Sula, për të marrë në shtëpitë e tyre banorët nga Kosova, të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre etnike, populli i Prefekturës së Kukësit iu përgjigj mrekullisht. Gjithkush prej banorëve e ndieu për detyrë, se duhej kontribuar në këtë çast të vështirë historik, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë popullin shqiptar. Krijimi i kësaj klime optimale kolektive, ndikoi shumë në përballimin e situatës së krizës.

Strehimi në rrethin e Kukësit

Në Kukës, në fillim të prillit 1999, një familje e qytetit të Kukësit, kishte në banesën e saj mesatarisht 14 banorë të dëbuar nga trojet e tyre etnike në Kosovë. Ndërsa komunat, veçanarisht ato të pellgut, si Shtiqni, Bicaj e Tërthorja, ishin tej mase të ngarkuara. Më 15 prill 1999, datë që do të merret si pikë referimi, gjendja ishte e rëndë. E marrim si pikë referenimi këtë datë, sepse në këtë periudhë numri i banorëve të dëbuar nga Kosova dhe të vendosur nëpër familjet kuksiane e qendrat kolektive, nuk kishte lëvizur, ose kisht lëvizur fare pak. Lëkundjet kanë ndodhur te kontigjenti i banorëve që nuk arritën të strehohen dhe kaluan natën nën qiell të hapur. Strehimi nëpër shtëpitë e banorëve, në kampe dhe qendra të tjera kolektive, ishte një nga arsyet e moslargimit nga qyteti i Kukësit i banorëve kosovarë të shpërngulur me dhunë. Sidoqoftë, në këtë periudhë, në Bashkinë e Kukësit, kishte 37.658 persona të vendosur në 10.649 familje. Në këtë kohë, në Kukës, raporti i banorëve vendas ishte një me dy shqiptarë të dëbuar, kur kihet parasysh se popullsia e Bashkisë së qytetit të Kukësit, nuk kalonte numrin e 25 mijë banorëve. Gjendja aktuale e banorëve të strehuar në Bashkinë e Kukësit, sipas lagjeve, ishte si në tabelën e mëposhtme:

Tabela nr. 3

Nr.

Emërtimi

Numri  i familjeve kosovare

 

Numri  personave

Numri   familjeve pritëse

1   

Lagjja 1

   432

  4.572

  1.613

2

Lagjja 2

   427

  3.974

     923

3

Lagjja 3

   520

  4.875

  1.840

4

Lagjja 4

   310

  3.789

  1.165

5

Lagjja 5

   312

  3.666

  1.166

6

Lagjja 6

   356

  4.644

  1.353

7

Gostil 

   377

  2.703

  1.226

8

Lagjja e Re

   213

  2.121

     457

9

Bozhe

   135

  1.441

     487

10

Z. Industriale

   192

  2.601

     143

11

Zabel

   100

  1.964

     256

12

Drinas-Ramhas

   110

  1.308

       68

13

Bashkia total

3.487

37.658

10.694

 

Në të njëjtën periudhë, pra në mesin e prillit 1999, në rrethin e Kukësit sipas komunave, janë srehuar më shumë se 20.460 banorë të shpërngulur nga Kosova. Realisht, për vetë kushtet e vështirësitë që ishin krijur, vendosja e banorëve të shpërngulur nga Kosova në komunat e rrethit të Kukësit dhe të Hasit, paraqiste vështirësi të mëdha për shumë arsye. Së pari, vetë Shtabi i mbikëqyrjes së situatës, ende nuk kish mundur të përballonte malin e problemeve të shumta për shkak të vështirësive objektive, si koha e shkurtër e krijimit, shpejtësia e krijimit të situatave të vështira, kompleksi i problemeve etj. Ngjarjet vinin shpejt dhe situatat e vështira mbulonin njëra- tjetrën me shpejtësi të jashtëzakonshme. Së dyti, distanca për të shkuar ndihma në komuna, sidomos të largëta, ishte e vështirë dhe veç komplikimeve organizuese, kishte edhe rrezikshmëri të vetë rrethanave. Së treti, paraqitej vështirësia e identifikimit dhe e regjistrimit të saktë të banorëve të shpërngulur. Sidoqoftë, komunat e rrethit të Kukësit, patën një numër të konsiderueshëm banorëvesh të dëbuar, duke dëshmuar kështu një solidaritet të lartë në ndihmë vëllezërve e motrave kosovare të persekutuar nga regjimi fashist serb. Në tabelën e mëposhtme, është pasqyruar numri i banorëve në komuna, sipas regjistrimit nga Zyra e refugjatëve në Kukës, pushteti vendor dhe përfaqësuesit e Shtabit të mbikëqyrjes të situatës së jashtëzakonshme:

Tabela nr. 4

Nr.

Komuna

Numri i banorëve të  komunës

Numri i banorëve të shpërngulur

1

Shtiqën

   3.920

   8.311

2

Tërthore

   3.537

   6.644

3

Bicaj

   7.333

   9.216

4

Kolsh

   1.785

   1.302

5

Malzi

   7.162

   1.322

6

Surroj

   2.055

   1.187

7

Bushtricë

   2.727

      107

8

Shishtavec

   7.020

      224

9

Çajë

   3.136

      145

10

Zapod

   3.437

      137

11

Ujmisht

   4.063

        50

12

Komunat total

 45.175

 20.460

 

Në tabelën e mësipërme, edhe pse nuk janë përmendur disa komuna, nuk do të thotë se ato nuk kanë strehuar banorë kosovarë të shpërngulur, por numri i tyre është tejet i vogël. Në komunat, si ajo e Kalisit, Arrnit ose ndonjë tjetër, banorët kosovarë nuk kanë mundur të shkojnë shumë për shkak të largësisë, terrenit të thyer dhe kushteve të pafavorshme ekonomike të banorëve të këtyre rajoneve. Gjatë kësaj kohe, një ndihmë të madhe kanë dhënë edhe pronarë lokalesh të qytetit të Kukësit, të cilët lëshuan lokalet për strehimin e vëllezërve kosovarë. Këto mjedise, fillimisht u quajtën pika grumbullimi, e më vonë qendra kolektive. Gjithë lokalet private, në mesin e prillit 1999, ishin të tejmbushur dhe kështu qëndruan deri në fund të krizës. Sipas regjistrimit të saktë nga Zyra e refugjatëve, bashkia dhe të ngarkuarit nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, numri i banorëve të strehuar në këto qendra kolektive ishte si në tabelën e mëposhtme:

Tabela nr. 5

Nr,

Emërtimi

Numri i të srehuarve

1.

Lokali i Hasan Domit

25

2

Bilardoja e Kadri Ukperës

60

3

Lokali i Bahri Shahut

60

4

Lokalet tek agjencia

650

5

Bilardoja e Xhelal Dedës

70

6

Kopshti i Lagjes numër 3

450

7

Lokali i Sajmir Cahanit

170

8

Lokali i Beqir Laçit

60

9

Lokali i ish-rrobaqepësisë

100

10

Lokali i ish-farmacisë

80

11

Lokali i Nergutëve

60

12

Lokali i Liman Bytyqit

85

13

Xhamia e qytetit

1.000

14

Medreseja

1.400

15

Lokali i Elez Bratit

40

16

Shtypshkronja e qytetit

40

17

Lokalet përballë shtypshkronjës

80

18

Lokali i Eshref Hoxhës

30

19

Shtëpia e ushtarakëve

400

20

Sheshi "Skënderbeu"

2.500

21

Zabeli

1.200

22

Kinemaja e qytetit

2.000

23

Pallati i Kulturës

2.000

24

Agrotregtarja

2.100

25

Parku i Ri

4.000

26

Magazina e patates

1.000

27

Magazina e bonifikimit

900

28

Këndi i lojërave i qytetit

1.500

29

Qendra te lokali i Hamit Domit

150

30

Kopshti i Lagjes numër 1

130

31

Qendra te lokali i Servet Balës

700

32

Ish- ndërmarrja ushqimore

100

33

Ofiçina e gjeologjisë

100

34

Ofiçina mekanike

700

35

Te pazari i bagëtive

300

36

Sheshi te ish-agjencia

1.300

37

Lokali i Avni Palushit

60

38

Lokali i Sahit Didës

100

39

Bilardoja e Selman Matmujës

120

40

Shtëpia e Isa Elezit

60

41

Lokali i Muhamet Elezit

60

42

Sheshi te pishat i Lagjes 3

6.000

43

Bilardoja e Selman Elezit

90

44

Bilardoja e Fehmi Elezit

150

45

Këpucaria e Isamedin Çerkezit

30

46

Te lokali i Tasim Cengut, F.bukës

1.000

47

Autoparku i Zenelëve në Lagjen 4

50

48

Lokali i Bujar Danjollit në Lagjen 3

50

49

Qendra pranë Radio-Kukësit

300

50

Lokali i Beqir Iseberit

60

51

Bilardoja e Sami Gjanës

40

52

Magazina e Selam Sopit

130

53

Lokali i Sulejman Hazirit

100

54

Ndërmarrja e ujërave

300

55

Ndërmarrja pyjore

70

56

Autoparku i Rasim Cengut

60

57

Qendrat kolektive totalisht

34.260

 

Rolin e qendrave kolektive, arritën ta luajnë edhe shumë shtëpi të banorëve kuksianë edhe pse përgjithësisht shtëpitë kishin pak hapësirë banimi. I tillë është shembulli i familjes së Xhelal Elezit, i cili gjatë gjithë kohës së kësaj krize, strehoi në shtëpinë e tij 46 shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Kosova. Në adresë të kësaj familjeje bujare, Presidenti i Bankës Botërore, James D. Volfensohn, pas vizitës tek ajo, i shkruan një letër më 2 gusht 1999, ku shprehet: ...Ne jemi të impresionuar shumë nga bujaria e jashtëzakonshme, që ju treguat ndaj familjeve kosovare, duke i mbajtur në shtëpinë tuaj gjatë krizës së tmerrshme në Kosovë... Gjatë gjithë periudhës së konfliktit, familje kuksiane dhe hasjane, si kjo, kishte plot. Sipas verifikimit të grupeve të ngarkuara për regjistrimin e popullsisë së dëbuar kosovare, rezulton se në gjysmën e prillit 1999, në këto qendra kolektive, banonin 34.260 mijë persona, pa përfshirë edhe mbi 8.000 banorë të tjerë që ishin vendosur në oborret e pesë shkollave të qytetit. Vetëm në mjediset e shkollës së mesme Havzi Nela të qytetit të Kukësit, ishin strehuar mbi 2.400 banorë të dëbuar. Këto qendra kolektive, kanë ndihmuar shumë në lehtësimin e një mori problemesh që atë kohë, ishin pothuajse të papërballueshme. Madje, vetë pronarët e këtyre qendrave kolektive, u shndërruan në menaxherë dhe kujdestarë të banorëve kosovarë që ishin vendosur në mjediset e tyre. Kuptohet se mbetet të organizohet puna që të gjithë ata të furnizohen me ushqime e veshmbathje, t'u jepet ndihma e duhur mjekësore etj. Sipas këtyre shifrave, në rrethin e Kukësit, janë të strehuar në shtëpitë e banorëve dhe në qendrat kolektive 106.347 banorë kosovarë të dëbuar, ndërsa nën qiell të hapur, janë edhe 44.421 të tjerë. Për nga numri i përgjithshëm i banorëve të rrethit të Kukësit, që sipas regjistrimit në pranverën e vitit 1999 ishte 80.660 banorë, ishte raporti një banor kuksian me dy banorë të dëbuar nga Kosova.

Strehimi në rrethin e Hasit

Pothuajse, e njëjta gjendje ishte edhe në rrethin e Hasit, që ka më pak se 22 mijë banorë gjithsej, me 4.942 familje. Në mesin prillit 1999, në rrethin e Hasit, kishte mbi 23 mijë banorë të dëbuar nga trojet e tyre etnike në Kosovë. Më shumë se 20 mijë banorë të shpërngulur, janë të vendosur nëpër familjet hasjane dhe vetëm një pjesë e vogël, u strehua në qendra kolektive e kampe, si në xhaminë e qytetit të Krumës, ku u vendosën diçka më shumë së 1.000 veta, në mjediset e ish-pularisë rreth 1.000 veta dhe në kampin e ngritur në komunën e Fajzës nga qeveria franceze, u strehuan 1.200 persona të dëbuar. Shumë më pak se në Kukës, por edhe në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, kishte një kontigjent banorësh të shpërngulur që nuk patën mundësi të srehohen, mbetën nën qiellin e hapur. Shkak për këtë dukuri ishte hezitimi për të lëvizur poshtë nga banorët, por pati edhe anomali të vazhdueshme në organizimin e transportit të tyre për në brendësi të vendit. Konkretisht, në rrethin e Hasit, më 15 prill 1999, gjendja ishte si më poshtë:

Tabela nr.6

Nr.

Emërtimi

Nr. i familjeve pritëse

Nr. i banorëve  të shpërmgulur

 

1

B. Krumë

1.016

  6.500

2

K. Golaj

   693

  8.393

3

K. Fajza

   340

  2.000

4

K. Gjinaj

     93

  1.163

5

Has total

2.142

18.056

 

Qendrat kolektive në rrethin e Hasit, në këtë periudhë, kishin mbi 3.500 banorë të shpërngulur. Sipas situatës konkrete, në këtë rreth kishte mbi 23 mijë banorë të shpërngulur nga Kosova. Mbi bazë të të dhënave nga Shtabi i mbikëqyrjes së situatës në Prefekturën  Kukësit, si dhe nga administrata e Këshillit të rrethit të Hasit dhe ajo e Bashkisë se qytetit të Krumës, detyrë e parë e ditëve të para ishte lëvizja për në brendësi të vendit e sa më shumë banorëve të shpërngulur dhe afrimi i sa më shumë shoqatave humanitare, që do të bënin të mundur plotësimin e nevojave më të domosdoshme të banorëve të dëbuar dhe të atyre vendas, të cilët janë në gjendje të keqe ekonomike.

Strehimi në rrethin e Tropojës

Në rrethin e Tropojës, gjatë kohës së krizës, nuk ka patur probleme të veçanta në krahasim me dy rrethet e tjera, Kukës e Krumë, për arsye të numrit të vogël të banorëve që u vendosën në këtë rreth. Siç duket, Tropoja e kaloi këtë gjendje që në vitin 1998, kur pati në shtëpitë e banorëve të saj mbi 20 mijë banorë të shpërngulur nga Kosova. Rrethi i Tropojës, kishte një përfshirje të drejtpërdrejt në konflik. Ky rreth, nuk i shpëtoi për as një ditë goditjeve me artileri të ushtrisë jugosllave që solli mjaft viktima. Sipas të dhënave zyrtare nga ky rreth, deri më 9 prill 1999, kanë mbërritur rreth 4.500 shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre etnike. Shumica dërrmuese e banorëve, kanë hyrë nga Qafa e Prushit, ndërsa mjaft pak nga Qafa e Morinës she Padeshi. Kryetari i Këshillit të Rrethit të Tropojës, Xhevdet Hoxha, në një informacion të kësaj date në adresë të Prefekturës së Kukësit, thotë: Rreth dy mijë banorë të shpërngulur nga trojet e tyre etnike në Kosovë, i kemi lëvizur në drejtim të Mjedës, Tiranës, Durrësit etj., kurse pjesën tjetër të banorëve, i kemi vendosur në Bashkinë e qytetit të Bajram Currit dhe në komunat e rrethit. Sipas këtij informacioni, në shtëpitë e banorëve të qytetit të Bajram Currit, janë regjistruar rreth 1.300 persona, kurse 300 prej tyre, janë të strehuar në mjedise të përshtatshme brenda territorit të bashkisë. Pjesa tjetër e banorëve të shpërngulur, janë të vendosur në shtëpitë e fshatrave të komunave të rrethit të Tropojës.

Gjendja në të njëjtën periudhë në rrethin e Tropojës, ishte si më poshtë:

Tabela nr.7

Nr

Emërtimi

Nr. i familjeve pritëse

Nr. i familjeve të ardhura

1

Bashk.B.Curri

213

  1.520

2

Kom Fierzë

  15

     109

3

Kom.Margegaj

  38

     199

4

Kom.Bujan

  18

     106

5

Kom Tropojë

  12

       86

6

Rrethi total

296

  2.020

 

Në bazë të kësaj situate, në rrethin e Tropojës, nuk kishte krizë humanitare në kuptimin serioz të fjalës në krahasim me problemet alarmante në rrethet Kukës e Has.

Strehimi në kampe

Me gjithë bujarinë e shkëlqyer të banorëve dhe punën jashtëzakonisht të madhe të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme në Prefekturë, kujdesit të madh të shtetit shqiptar e të shoqatave të huaja humanitare, përsëri një numër i madh banorësh të shpërngulur mbeti përjashtë pa asnjë mbrojtje. Ata e kalojnë natën nën qiell të hapur. E rrezikshme ishte gjendja e fëmijëve të vegjël dhe e pleqve. Ky kontigjent, përbën një minë me sahat, që është gati të shpërthejë në çdo çast. Po të ndodhte kështu, pasojat e krizës do të ishin të dhimbshme e tragjike. I ndodhur përballë këtij rreziku eventual, Grupi i Emergjencave i Qeverisë shqiptare, që drejtohet nga Kastriot Islami, Shtabi i mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme në Kukës, shoqatat e huaja dhe gjithë organizmat e tjerë humanitarë, riorganizuan punën duke forcuar disiplinën dhe aktivitetin e tyre në të gjitha aspektet. Kështu, lindi domosdoshmëria e ngritjes së kampeve, ku do të mund të strehoheshin të gjithë banorët. Sipas zëvendës-kryeministrit, Ilir Meta, i cili ende është në Kukës për të ndjekur nga afër punët në përballimin e krizës,  duhet të ngrihen kampe, ku mund të strehohen mbi 30 mijë banorë të shpërngulur. Që në fillim, u morën masa të menjëhershme për ngritjen e kampeve. Ngritjen e tyre, më vonë e pason udhëzimi "Për ngritjen e kampeve dhe rehabilitimin e qendrave pritëse për të ardhurit nga Kosova", i datës 10.6.1999. Në këtë udhëzim të Qeverisë shqiptare, i kushtohet rëndësi e posaçme rehabilitimit të objekteve, pasi parashikohej që të ardhurit nga Kosova do ta kalonin stinën e ftohtë të dimrin këtu. Për rehabilitimin e këtyre objekteve, kërkohen ndihma të donatorëve të ndryshëm, të cilët në këtë periudhë krize, kanë ofruar ndihma pa kursim për tejkalimin e gjendjes tragjike të një populli të tërë. Për ndërtimin e kampeve, u shprehën edhe përfaqësues të shteteve që vizituan qytetin e Kukësit, si ministrja e Brendshme italiane, Roza Jervolino, ministri grek i mbrojtjes, Akis Ksehaksopullos, drejtues të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeveritë franceze, gjermane etj. Deri fund të prillit u ngritën 6 kampe, ndërsa gjatë gjithë periudhës së krizës funksionuan 8 kampe, në të cilët u strehuan mbi 30 mijë shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre etnike. Numri i banorëve të shpërngulur nga Kosova në kampe, është sipas tabelës së mëposhtme:

Tabela nr. 8

Nr.

Emërtimi

Vendi

Numri

1

Kampi i EBA-së

Gostil

  9.766

2

Kampi  UNHCR

Gostil

  3.410

3

Kampi italian 1

Rexhepaj

  6.230

4

Kampi italian 2

Kukës

  5.800

5

Kampi i Bashkisë

Kukës

  2.510

6

K.Kapanamur

Kukës

  1.300

7

Këndi i lojërave

Kukës

  1.600

8

Parku i Ri

Kukës

  3.600

9

Kampet total

Rrethi Kukës

34.216

 

Edhe në rrethin e Hasit, ishte domosdoshmëri ngritja e kampeve, që do të strehonin të gjithë ata banorë të shpërngulur jashtë shtëpive të banorëve vendas ose qendrave kolektive. Gjatë gjithë krizës, në këtë rreth, u ngritën tre kampe strehimi me një kapacitet më shumë se 3.500 veta. Saktësisht, numri i banorëve nëpër kampe të ngritura në rrethin e Hasit, është sipas tabelës të mëposhtme:

Tabela nr. 9

Nr.

Emërtimi

Vendi

Numri

1

Kampi te xhamia

Krumë

1.300

2

Ish-pularia

Krumë

1.200

3

Kampi francez

Komuna Fajzë

1.500

4

Nr. kampeve total

 

4.000

 

Kampet zvogëluan numrin e banorëve që kalonin natën nën qiell të hapur.  Nëpërmjet tyre, u shmang rreziku i katastrofës humanitare. Nga ana tjetër, strehimi në kampe i banorëve kosovarë të shpërngulur, eleminoi edhe mundësinë e përhapjes së epidemive të ndryshme, sepse tani banorët e shpërngulur, u futën nën kontroll të rregullt shëndetësor të ekipeve mjekësore që kishin ngritur vetë kampet.

“Qeveria" për Kukësin

Krahas angazhimit të të gjithëve për përballimin e kësaj krize, të krijuar nga diktatura fashiste serbe, u ndie nevoja e domosdoshme për krijimin edhe të  një "qeverie" vetëm për Kukësin. Besohej se në këtë mënyrë, puna do të ishte më e organizuar dhe më e efektshme. Moria e problemeve, pesha e krizës që sollën shqiptarët e dëbuar, goditja me artileri dhe provokimet sistematike të ushtrisë jugosllave në drejtim të rajoneve të Prefekturës së Kukësit, sidomos të zonave përgjatë brezit kufitar me Kosovën, shtruan domosdoshmërinë e një bashkëpunimi dhe kontrolli të të gjithë problemeve e aktiviteteve, për të përballuar vështirësitë që solli eksodi i shqiptarëve. Gjithashtu, ndërmarrjen e një veprimi të tillë të Qeverisë shqiptare, e bëri edhe kthimi i Kukësit në epiqendër të ngjarjeve tragjike të një populli të tërë. Ky akt, shënoi vëmendjen e veçantë të shtetit shqiptar dhe vlerësimin e situatës në shkallën e duhur. Me krijimin e një "qeverie" vetëm për Kukësin, kryeministri Pandeli Majko, synonte të krijojë një staf më të gjerë e më përfaqësues të qeverisë së tij në Kukës, që do të ndihmonte për mbarëvajtjen e punëve. Po kështu, stafi i kësaj "qeverie", do të ndihmojë Shtabin e mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme në Prefekturën e Kukësit. Mbi të gjitha, ky organizëm, bënte të mundur një lidhje më të drejtpërdrejtë me Kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe ministritë e veçanta për të gjithë problemet dhe urgjencën e tyre. Pikërisht për këtë qëllim, më 14.4.1999, jepet urdhri numër 11 i kryeministrit, Pandeli Majko, "Për caktimin e të ngarkuarit të posaçëm të Komisionit Qeveritar në Prefekturën e Kukësit", lidhur me përballimin e situatës emergjente të krijuar nga ardhja masive e popullsisë shqiptare nga Kosova. Në bazë të këtij urdhri për organizimin e punës dhe mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë e marrjen e masave për pritjen e trajtimin e të ardhurve nga Kosova, Vladimir Shehu, caktohet i ngarkuari i posaçëm i Komisionit Qeveritar në Prefekturën e Kukësit, duke lënë të lirë kështu zëvendëskryeministrin, Ilir Meta, i cili gjatë dy javëve luajti një rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e një sërë problemesh të rëndësishme në fillesën e krizës. I dërguari i posaçëm, Vladimir Shehu, deri në normalizimin e situatës, që nënkuptonte ndaljen e luftës, kishte qendrën në Prefekturën e Kukësit. Po kështu, urdhëri i kryeministrit, Pandeli Majko, ngarkonte ministritë dhe institucionet qendrore përkatëse, që të caktojnë përfaqësuesit e tyre në Prefekturën e Kukësit, për zgjidhjen e problemeve në fushat që mbulojnë. Për koordinim të të gjitha punëve të përfaqësuesve të këtyre dikastereve dhe përcaktimin e detyrave ngarkohej i dërguari i posaçëm.

Më 15.4.1999, konturohet "qeveria" e Kukësit, që kishte në përbërje të saj këta persona:

1. Vladimir Shehu,                Koordinator i përgjithshëm

2. Tomorr Malaj,                               Koord.  Ministrisë së Pushtetit Lokal

3. Mihallaq Spirollari,            Koordinator i Mbrojtjes dhe rendit

4. Hamdi Muçaj,                    Inspektor në Ministrinë e rendit

5. Gjikë Kurtiqi,                      Spec. në Ministrinë e Informacionit

6. Rukie Kondaj,                   Koordinatore e shëndetësisë

7. Slavica Martini,                  Spec.  në Ministrinë e Shëndetësisë

8. Dragush Mati,                   Specialist në Ministrinë e Bujqësisë

9. Andrea Toromani,             Secialist në Ministrinë e Mbrojtjes

10. Vangjush Mano,                      Drejtoria e Rezervave të Shtetit

11. Jonuz Begaj,                  Kr. Grupit parlamentar për refugjatëtv

12. Enton Lite,                      Drejtor i Zyrës së refugjatëve

13. Miltiadh Mata,               Ministria e Ekonomisë Publike

14. Artan Mile,                      Ministria e Transportit

Ky organizëm i ri, në bashkëpunim me Shtabin e mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, do të bëjë të mundur përballimin e krizës, barrën më të rëndë të së cilës e mbante mbi supe populli i Prefekturës së Kukësit. Këta persona, që përfaqësonin ministritë në "qeverinë" e Kukësit, në periudha të ndryshme janë ndërruar, sipas nevojave dhe mundësive të vetë ministrive. Prej 15 prillit 1999, deri në fund të krizës, sipas procesverbalet që i disponon arkivi i prefekturës së Kukësit, janë mbajtur mbi 110 mbledhje të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës, ku ka asistuar rregullisht edhe i dërguari i posaçëm. Sipas protokolleve të këtyre mbledhjeve të shtabit, del qartë puna unike dhe zgjidhja e problemeve të përbashkëta që kishin për qëllim eleminimin e katastrofës humanitare.

Përballimi i krizës ushqimore

Tepër të vështira, kanë qenë ditët e para në Prefekturën e Kukësit, pas mbërritjes së banorëve të dëbuar nga Kosova. Vështirësitë erdhën nga një sërë faktorësh. Së pari, fluksi i të dëbuarve ishte jashtëzakonisht i madh, duke kapërcyer çdo imagjinatë e parashikim edhe të specialistëve. Në fillim, ritmi mesatar i të ardhurve ishte 30-40 mijë banorë në ditë që kalonin pikën e Morinit në drejtim të Kukësit. UNHCR-ja, para disa kohësh, nuk mendonte se do të dëbohen më shumë se 30 mijë banorë shqiptarë të Kosovës. Po kështu, gjykonin edhe organizma të tjerë të specializuar. Në fakt, vetëm më 29 mars 1999, hynë në Kukës mbi 77 mijë banorë të dëbuar nga Kosova, ndërkohë që në këtë datë, në këtë qytet, kishte më shumë se 120 mijë persona të dëbuar. Së dyti, sapo ishte krijuar Shtabi i mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, andaj organizimi e drejtimi i gjithë asaj morie problemesh ishte më se i vështirë, me gjithë përpjekjet tejet të mëdha të këtij organizmi. Së treti, shoqatat dhe asociacionet humanitare ndërkombëtare, nuk kishin mbërritur akoma në Kukës, ose deri në ato çaste ishin shumë pak prej tyre që të ndihmonin për tejkalimin e situatës së vështirë, e cila kërcënonte me katastrofë humanitare. Si rrjedhojë e ardhjes së mbi 120 mijë banorëve vetëm gjatë dy ditëve në Kukës, rezervat ushqimore që ndodheshin (shih tabelën 2) në tregun privat, por edhe në magazinat shtetërore, mbaruan shumë shpejt. Populli i rrethit të Kukësit dhe ai i Hasit, u vu në sprovë të mbijetesës. Rrjedhimisht, populli i Prefekturës së Kukësit dhe mbi 150 mijë banorë të shpërngulur nga Kosova, u ndodhën përpara provës më të vështirë të jetës së tij kolektive. Përpjekjet e mëdha të shtetit shqiptar dhe të Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme, fatmirësisht, patën ndihmën e shpejtë të organizmave të huaj humanitarë, që ndërhynë shpejt duke dhënë kontribut të çmuar. Sipas një raporti të Drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit të rrethit të Kukësit, për pak ditë gjendja u përmirësua dukshëm. Kështu, më 31.3.1999, sipas hulumtimit të saj, konsumoheshin mesatarisht në ditë rezervat ushqimore, sipas tabelës së mëposhtme:

Tabela nr. 10

Nr.

Artikujt

Sasia gjendje

Njësia

Sektori shtet.

Sektori privat

Shoqata, fond.

1

Bukë

6.200

copë

     -

 6.200

     -

2

Miell

     84.5

ton

 24.7

    18.1

    39

3

Oriz

     24

ton

     -

    24

     -

4

Makaron

     18.9

ton

     -

    18.9

     -

5

Vaj

     9.92

ton

     -

    9.92

     -

6

Sheqer

     20

ton

     - 

     20

     -

7

Sapun

60.570

copë

22.000

38.570

     -

8

Djathë

     0.7

ton

     -

     0.7

     -

 

Edhe në rrethin e Hasit, ishte e njëjta situatë në të njëjtën periudhë. Sipas raportit të Drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit të rrethit të Hasit, më  30.3.1999, konsumohej gjatë një dite një sasi e konsiderueshme rezervash ushqimore sipas kësaj tabele:

Tabela nr. 11

Nr.

Artikujt

Sasia gjendje

Njësia

Sek. shtet.

Sektori privat

Shoqata,

fond.

1

Bukë

1.300

copë

   -

1.300

    -

2

Grurë

   640

ton

  640

    -

    -

3

Oriz

    1.2

ton

   -

    1.2

    -

4

Makaron

    2.8

ton

   -

    2.8

    -

5

Vaj

    2

ton

   -

    2

    -

6

Sheqer

   1.8

ton

   -

    0.8

   1

7

Sapun

3.500

Copë

   -

     -

3.500

 

Megjithatë, këto rezerva ushqimore që u ofruan me shpejtësi, ishin mjaft larg kërkesave të banorëve të shpërngulur. Periudhën më dramatike për ushqimin e banorëve të dëbuar nga trojet e tyre etnike, e ka përballuar populli i rrethit të Kukësit dhe atij të Hasit, me rezervat e tij ushqimore që pati në shtëpi. Në Kukës e Has, prodhoheshin në atë moment nga furrat private vetëm 7.500 bukë, ndërkohë që nevojat ishin për mbi 25.000 sosh. Mesatarisht, mbi 18 mijë bukë në ditë vinin nga rrethet e tjera, Elbasani, Tirana… Po kështu, ishte gjendja edhe për artikujt e tjerë të domosdoshëm. Nga 27.3.1999, deri rreth 4.4.1999, gjithçka është përballuar me një organizim pothuajse spontan kolektiv tepër efikas, falë ndjenjave humane që kishte ky popull dhe zhdërvjelltësisë organizuese të Shtabit të mbikëqyrjes në Prefekturën e Kukësit. Në ndihmë të këtij Shtabi, që përbëhej nga drejtuesit e organeve të pushtetit lokal, të Prefekturës dhe të institucioneve lokale në rrethet Has e Tropojë, erdhën edhe banorët, ndihma të cilve ishte e rëndësishme dhe vendimtare. Nëse nuk do të ishte ky kontribut i jashtëzakonshëm i popullit, Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme dhe organizmave të tjerë, Kukësi ishte i destinuar të shndërrohej në një varr gjigand. Po të ndodhte kjo kataklizëm sociale, bota sigurisht që do të merrte një leksion të hidhur historik. Bota e përparuar do ta mbante në mendje përgjithmonë këtë fakt historik, si goditjen më të madhe nga terrorizmi shtetëror serb nën hundën e Evropës e të botës. Dhjetë ditë pas krizës, organizmat qeveritarë e joqeveritarë u mobilizuan dhe morën veten. Me gjithë angazhimin e strukturave të shtetit, të më shumë se 46 organizatave joqeveritare e organizmave të tjerë ndërkombëtarë,  gjatë gjithë periudhës së krizës, nuk u arrit të stabilizohej asnjëherë plotësisht gjendja, ngaqë asnjëherë nuk ishte stabil numri i të ardhurve në Prefekturën e Kukësit, veçanërisht në qytetin e Kukësit. Ritmi mesatar i të ardhurve, gjatë gjithë periudhës së krizës, ka qenë 6.200 banorë në ditë, ndërsa ai i evakuuimit për në rrethet e tjera ishte më i vogël, mesatarisht në 4.400 pesona në ditë. Më 11.4.1999, merret Vendimi i Këshillit të Ministrave numër 166, "Për sigurimin dhe administrimin e ndihmave humanitare e të emergjencës". Bazuar në këtë vendim, edhe në Këshillin e Ministrave, krijohet komisioni i përkohshëm për ndihmat e emergjencës, me kryetar ministrin e Bujqësisë dhe të Ushqimit. Në përbërje të këtij komisioni, kishte përfaqësues nga të gjitha ministritë e qeverisë së kryeminstrit, Pandeli Majko. Me këtë veprim, tregohej edhe një herë rëndësia që i kushtonte Qeveria shqiptare situatës së krizës. Qeveria dhe të gjitha organizmat vartës në rrethe, sidomos në Prefekturën e Kukësit, ku vështirësitë ishin jashtëzakonisht të mprehta, në çdo rast ishte e angazhuar dhe tepër fleksibile. Duke qenë esencialisht problem kryesor trajtimi ushqimor i banorëve të dëbuar nga trojet e tyre etnike, edhe angazhimi u përqëndrua këtu. Shteti shqiptar dhe organizmat ndërkombëtarë, ishin të vetëdijshëm për gjendjen aktule të rezervave ushqimore në rajonin e Kukësit. Pikërish për këtë arsye, kryetari i Qeverisë shqiptare, Pandeli Majko, lëshoi një seri urdhërash për të siguruar nga rezervat e shtetit një sasi të konsiderueshme gruri e mielli që destinohej për popullatën e shpërngulur, por edhe për banorët vendës. Që në ditët e para, kjo sasi drithi e mielli, u dërgua dhe u shpërnda në Prefekturën e Kukësit, nën kujdesin e Shtabit të mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme. Gjithë kjo situatë kritike, qe vetëm kalimtare, pasi shumë shpejt në Kukës vërshuan ndihmat ushqimore dhe veshmbathje nga shumë shoqata të huaja joqeveritare dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Gjatë gjithë periudhës së krizës, në Kukës e Krumë, siç jemi shprehur edhe më lart, kanë vepruar 46 shoqata joqeveritare, të cilat me UNHCR-n në krye, si koordinator të përcaktuar që në fillim nga Shtabi i mbikëqyrjes të situatës së jashtëzakonshme, kanë vepruar e janë organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Pas 15 prillit 1999, në rrethet Kukës e Krumë, shpërndahej ajo sasi ndihme që ende nuk plotësonte të gjitha nevojat e kërkesat e shumta të të dëbuarve, por që pa dyshim kishte shmangur katastrofën humanitare. Praktikisht, për më shumë se 130 mijë banorë të shpërngulur nga Kosova, të vendosur në Prefekturën e Kukësit, shpërndaheshin  mesatarisht çdo ditë 58 ton miell, 2.5 ton oriz, 6 ton makarona, 7 ton vaj, 7 ton sheqer, 5 ton fasule, 7 ton mish, 1.5 ton sapun e deterxhente etj. Gjatë gjithë periudhës emergjente, janë shpërndarë mesatarisht nga 100 deri në 120 ton ndihma në ditë, që do të thotë se për rreth 80 ditë, sa ka zgjatur kriza e të dëbuarve, në Prefekturën e Kukësit, janë shpërndarë te banorët e dëbuar, por edhe në familjet mikpritëse, mbi 120 mijë ton ndihma, kryesisht ushqimore dhe veshmbathje. Shpërndjarja e këtyre ndihmave, sigurisht ka vazhduar edhe pas 13 qershorit 1999, kur filluan të kthehen shqiptarët e Kosovës në shtëpitë e tyre.

Banorët vendës të shpërngulur

Problem për shtetin shqiptar dhe shoqatat joqeveritare, u bënë edhe mbi 10 mijë banorë të fshatrave të vijës së kufirit me Kosovën, kryesisht të rretheve Has e Tropojë, të cilët, të kanosur vazhdimisht nga provokimet e ushtrisë jugosllave, qenë  zhvendosur në thellësi të zonave më të sigurta. Në fund të majit 1999, nga fshatrat e rrethit të Tropojës, pranë kufirit me Kosovën, ka patur 1.552 familje të zhvendosura në zona më të sigurta, me një numër prej 4.518 banorësh. Këtë zhvendosje të popullatës, kryesisht e ka pësuar komuna e Tropojës dhe ajo e Bytyçit. Nga komuna e Tropojës, kanë lëvizur shtatë fshatra, të përbëra prej 1.171 familjesh me 3.413 banorë, ndërsa nga komuna e Bytyçit, janë zhvendosur gjithsej katër fshatra me 381 familje e 1.105 banorë. Në fshatrat e këtyre komunave, kanë qëndruar vetëm 800 burra, të cilët janë vënë në vijën e frontit për t'u përballur me agresorin në rast të sulmit.

Gjendja ishte sipas tabelës së mëposhtme:

Tabela nr. 12

Nr.

Komuna

Nr.  familjeve

Nr.   banorëve

1.

Tropojë

1.171

3.413

2.

Bytyç

   381

1.105

3

Rrethi Tropojë total

1.552

4.518

 

Kjo gjendje, ishte edhe në rrethin e Hasit. Ishin dhjetë fshatra me 1.021 familje dhe 4.533 banorë, të zhvendosur më në thellësi. Vetëm nga komuna Golaj e këtij rrethi, janë zhvendosur gjashtë fshatra me 801 familje dhe 3.347 banorë. Nga Bashkia e Krumës, kanë lëvizur dy fshatra të zonës kufitare me 137 familje e 718 banorë. Nga komuna e Gjinajt, janë zhvendosur dy fshatra me 83 familje e 468 banorë. Në  rrethin e Hasit të Prefekturës së Kukësit, gjendja e të shpërngulurve ishte si më poshtë:

Tabela nr.13

Nr.

Komuna

Nr.  familjeve

Nr.  banorëve

1.

Golaj

     801

3.347

2.

Bashkia e Krumës

    137

 &nb