Bedri Islami -  autor i dëshmuar

 

 „I VËRTETI“ NJË LIBËR I VËRTET, PËR NGJARJET E VËRTETA DHE PËR NJERËZIT

E VËRTET

( Fjala në promovim të monografisë “I VËRTETI”, i organizuar në kuadër të edicionit të 13’të të panairit të librit „Prishtina 2011. Prishtinë, 4 qershor 2011 )

 

 

Shkruan: Delvina Kërluku ( * )

 

     Javët e fundit njerëzit kanë pasur në duar dhe kanë komentuar njërin ndër botimet më të reja kushtuar ngjarjeve të luftës së ndodhur në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni. Me një titull disi intrigues dhe joshës njëkohsisht, “I vërteti”, si për të dashur të japë dëshminë kryesore dhe vlerën e vyer të asaj që do të shtjellohet, ai erdhi në një moment kur ngjarjet po shpaloseshin marramendshëm shpejt, për të sjellë qetësinë dhe ndjenjën e hulumtimit. Për të sjellë qetësinë pas gjithë asaj vorbulle fjalësh dhe të pavërtetash, por edhe hulumtimin se çfarë ka më pas faqeve të këtij libri, cila është ajo pjesë që ende nuk është thënë e gjitha, dhe, të cilën, autori, në promovimin e bërë në Shkup, do të thonte se mungojnë në këtë libër ndoshta edhe 1000 faqe të tjera që do të mund të thoja për Ali Ahmetin, për njerëzit që bënë luftën, në të gjitha trojet shqipfolëse.

     Libri monografik, që po aq sa është i tillë, me vlera historike dhe trajtesa shkencore, aq  është edhe një biografi letrare, ngritur mbi dy godina; njohjen e së të vërtetës nga afër, dhe mjeshtërinë artstike të një autori, i cili, ka këtu librin e tij të njëmbëdhjetë, pas romaneve, vëllimeve me poezi apo dramave. Si shumë të rinj të moshës së tij të atëherëshme, autori është ndalur fillimisht tek poezia, ka shkuar nga romani dhe drama, për të na dhënë pastaj, njerën pas tjetrës, gjashtë libra për luftën në Kosovë dhe në Maqedoni. Dhe luftën ai nuk e ka parë nga jashtë, i huaj, i tjetërsuar, analist i ftohtë, por ka qenë brenda vorbullës së saj, pjesë e rëndësishme, herë në profesionin e tij si gazetar, herë si militant apo drejtues i një lëvizje që ndërroi rendin dhe themelin e gjërave të prapshta, duke sjell në themel gjërat e vyera.

     Në librin “I vërteti” kemi një gjë të pazakontë në fushën e letërsisë, sidomos në vitet e dekadat e fundit. E pazakonta qëndron në faktin se autori dhe përsonazhi, më parë se të jenë të tillë, pra autor dhe përsonazh, kanë qenë pjesë të një organizate çlirimtare, por që të bëhet edhe më i pazakontë ky libër, për një kohë, atëherë kur zhvillohej lufta në Kosovë, autori do të ishte drejtuesi i organizatës, në të cilën do të ishte pjesë e rëndësishme përsonazhi kryesor, ku ai, I vërteti, kishte shkrirë mbi njëzet vite jetë dhe aktivitet.

     Si një libër të tillë e kam lexuar dhe hulumtuar edhe unë. Pra si një libër që qëndron mes së zakonshmes, një libër për luftën, dhe të pazakonshmen, një libër i shkruar nga një  njeri, por i buruar nga dy njerëz, të cilët nuk dihet se ku e kanë fillesën e së të përbashktës dhe nuk dihet se ku mund të ndahen, deri sa të krijohet ideja se kemi të bëjmë me figurën e përbashkët të Atij njeriu, i cili, duke qenë pjesë e Lëvizjes popullore të Kosovës, pavarësisht nga emëri, ishte ndoshta njeriu më i vërtetë që ka lëvizur në këto treva në tridhjetë vitet e fundit. Në këtë sens libri është shenjë nderimi për të gjithë ata që u rrjeshtuan në këtë lëvizje, në vite e dekada të ndryshme, disa nga të cilët, prej motit, janë kthyer në simbole të kombit.

 

Prishtinë, 04. 06. 2011: Delvina Kërluku duke folur në promovimin e Librit “I vërteti”...

 

     Autori i librit “I verteti”, shkrimtari dhe gazetari Bedri Islami, flet në libër nga dorë e parë, ndaj është më i besueshëm se asnjë tjetër, thërret në ndihmë kujtesën e tij, por më shumë dokumentat, faktet, bisedat, ndodhitë, shfleton kohën si të dojë të sjellë më pranë atë, afron njerëzit që kanë qenë pjesë, pavarësisht se ku janë sot, risjell ngjarjet, i jetëson edhe një herë, i shtron para nesh, na e thotë se e kam mik prej vitesh e dekadash përsonazhin kryesor, Ali Ahmetin, por nuk mban anë, e hedh faktin dhe pastaj na e shton mendimin.

     Libri “I VËRTETI” është fryt i punës dhe i hulumtimeve të autorit Bedri Islami, i cili i shtroi vetes detyrë të prezantojë dhe komentoj një etapë të caktuar historike të Kosovës, heronjve të saj, duke u përqendruar tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe rezistencën e shqiptarëve në Kosovë e më  gjerë, në shtrirjen kohore gjatë viteve 1981 - 2001. Është një dëshmitar krejtësisht i besueshëm, i cili, duke sjellë mes nesh disa nga figurat që kanë lënë emërin në epokën që sapo shkoi, e bën këtë natyrshëm, me ndjenjën e mirë të njeriut që, para se të jetë shkrimtar, i ka njohur nga afër këto njerëz, është bashkuar me to në emërin e një ideali, të cilin, në përmasat më të gjëra, e ka gjetur pikërisht tek këto njerëz. Duke e risjellë edhe një herë përmasën e këtij ideali, përmes figurave të spikatura, ai duket sikur kthen një pjesë të borxhit që i ka kësaj periudhe, por në të njëjtën kohë, mënyra se si është pritur libri, jehona e tij, mirëdashja dhe interesimi, të duket sikur zbulojnë pjesën tjetër të mirënjohjes, tashmë të shokëve të tij, të shkrimtarit nga Shkodra, i cili u bë njëkohsisht edhe drenicak, edhe kërçovas, edhe pejan, edhe gostivaras, nga vinin shokët e miqtë e tij. Këtë mirënjohje të dyfishtë deshëm të shfaqim edhe ne, mirënjohje ndaj atyre që bënë histori, por edhe të shkrimtarit që u bë pjesë e tyre. Ndaj ky është një libër i vërtetë, për ngjarjet e vërteta dhe për njerëzit e vertetë, mes të cilëve spikat figura e të vërtetit, Ali Ahmeti.

     S’ka fije dyshimi se për një paraqitje të tillë është ndjerë nevojë e madhe, meqë deri tani opusi krijues lidhur me këtë problematikë ka qenë i mangët ose jo i studiuar në mënyrë të veçantë e komplekse. Edhe ato vepra a punime të botuara (sidomos pas luftërave, kryesisht pas vitit 2001), ngërthejnë në vete elemente të theksuara subjektivizmi e intenca të caktuara politike. Autori ia ka arritur qëllimit që në hyrje të librit të na prezantojë në mënyrë mjaft eksplicite përmbajtjen e atyre veprave, që si objekt trajtimi kanë fazën e fundit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, themelimin e UÇK’së dhe personin, që kishte merita të mëdha në formim, rritën dhe forcim të tyre, i quajtur në kryetitull të librit “I Vërteti”.

     Vepra që kemi në dorë ngërthen në vete fenomene të rëndësishme në kuadrin e ngjarjeve të stuhishme të viteve 1981 - 2001. Ishte  pikërisht kjo kohë kur shqiptarët inkuadrohen në një lëvizje të fortë - Ushtria Çlirimtare e Kosovës e që shprehin fuqimisht tendenca drejtë autonomisë dhe pavarësisë kombëtare. Nëpërmes rrjedhave të kohës prezantohen në vijën kronologjike, duke përfshirë ngjarjet e demonstratave në Kosovë ‘81’shin, vrasjet, zhdukjet, luftën, çlirimin dhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni (liberalizimin e jetës dhe barazinë).

     Autori trajton edhe dinamikën e intensifikimit të mëtejshëm të LPK’së dhe UÇK’së, polarizimin e krerëve në pikëpamje idesh e mendimesh (në vetë lëvizjen).

     Autori ia ka arritur qëllimit, që krahas elementit politik, të trajtojë edhe problemin ekonomik, faktor ky që ndikoi në ndërtimin, rimëkëmbjen e fuqisë UÇK’së. Por nuk e mirëkuptova autorin kur, trajton që personazhi kryesor Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij u mbështetën tek “Nëna Shqipëri”! Kush ishte pro dhe kush ishte kundër... këtij realiteti. “Përbaltimi, i cili vazhdon edhe sot, përgojimi i cili jargavitet edhe tash, zezimi i asaj që duhet të vinte, mosmirënjohja deri në palcë e gjërave - të gjitha bashkë përbëjnë atë që sot mund të përbëjnë enigmën e jashtëzakonshme të mohimit” (Citat nga libri që po promovojmë.)

     Autori përmes këtij libri na ngjalli ndjenjat që shpesh kanë qenë të ndryshme gjatë këtyre viteve. Sa të durueshëm përballë vuajtjes, sa të përmbajtur ballë hidhërimit, mos funksionimit - humbjes dhe triumfit, dëshpërimit dhe shpresës. Te gjitha këto u transformuan në jetët tona…

     Kosova mbeti e pamposhtur përballë gjëmimeve, pushkatimeve, varreve e stërmundimeve, s’u plogështua dhe s’u gjunjëzua, Flamur mbeti, me heronjtë e rënë të kombit, të cilët asaj ia rritën lavdinë. Nuk është lënë anash e pa u theksuar pjesëmarrja e masave të gjëra..., si potencial dominant që u hodhën tog në flakën e zjarrit e të barutit, për ta bartë barrën kryesore të luftës kundër ushtrisë serbe.

     Në monografi trajtohet edhe ndikimi i faktorit të jashtëm, si periferik, por edhe mjaft aktiv e domethënës, gjë që edhe vjen e reflektohet në antagonizmat midis “dy rrymave” në gjirin e vetë lëvizjes - asaj të përkushtuar drejt pavarësisë (Ushtria çlirimtare e Kosovës) dhe reformiste (Ushtria Çlirimtare Kombëtare). Për kundër kësaj disfate të disfavorshme, kryengritësit korrën suksese të reja, deri sa hynë triumfalisht në Shkup e gjetiu. Për këtë jepet mendimi mbi negociatat shqiptaro - ‘maqedone’, përfundimi i të cilave ishte Marrëveshja e Ohrit.

     Personalisht falënderoj autorin, që kontribuoj që të mos përbaltohen apo përdhosen faktet, në të gjitha pikë-kthesat e rëndësishme historike të kësaj periudhe, pasi po na ndodh edhe përdhosja e vlerave, figurave tona kombëtare, siç ndodhi me Enciklopedinë e Maqedonisë, ku figurat heroike, që janë krenaria dhe mburrja për shqiptarët, u denigruan me falsitet të pashoq, që vetëm shovinistët pasionant mund ta bëjnë.

     Shfrytëzoj rastin të falënderoj “Nënën Shqipëri” për ‘gatishmërinë’ e zëshme, në raste të nevojshme, kur rrezikohen tokat e lëna jashtë saj! Unë jam kundër pikëpamjeve antipopullore të atyre që popullin tonë e quajnë “pleh”, prandaj kjo monografi është një leksion edhe moral, meqë përkujtohen luftëtarët në mënyrë shumëdimensionale dhe kombëtare.

     Përkundrejt ankimeve të disa intelektualëve të lajthitur, se në vend nuk kemi shqiptarë të mirë, autori Bedri Islami na tregon cili është shqiptari më i mire, i kohës, na tregon për shqiptarin e gjetur, atë më të mirin, një shqiptar me qëndrim, me burrni e karakter, një shqiptar që di të bashkohet, të luftojë e të qëndrojë për një ide, për një qëllim…

     Urojmë Autorin të na sjell edhe të tjera monografi të ngjashme, që bëmat e faktet të mos dënohen nga harresa, që ato të mos munden nga falsifikimet e lloj-llojshme që po ofrohen.

 

Prishtinë, 04 . 06.  2011

( Delvina Kërluku është poeteshë dhe profesore në Universitetin e Tetovës )

 

 Dosjet e shpifura të oborreve! 

LEXONI LIBRIN “I VËRTETI…” TË AUTORIT BEDRI ISLAMI

Klikoni mbi foto )

..

 KOPERTINAT E LIBRAVE TË POETES DELVINA KËRLUKU

 

 

_______________________________________________________ 

 © Pashtriku.org, Qershor, 2011

 

 

 

powered by Beepworld