ÇKA E KARAKTERIZUAN PRANVERËN SHQIPTARE '81?

 

Shkruan: Berat Luzha ( * )

 

Zhvillimet e Pranverës së vitit 1981 paraqesin kthesën e madhe në historinë tonë më të re; fillimin e një epoke të re, e cila u finalizua me luftën çlirimtare të UÇK’së. Unë do të përpiqem të shpjegoj veçoritë, tiparet dhe cilësitë, të cilat e karakterizuan Pranverën Shqiptare ‘81.  Fillimisht, do të përpiqem të jap përgjigje të shkurta në disa pyetje të supozuara: Çka ishin ngjarjet e vitit 1981; protesta, demonstrata, trazira, lëvizje, kryengritje, luftë, kundërrevolucion, ngjarje, rezistencë...?

     1.

     Në vitin 1981, në Kosovë kishin shpërthyer trazira të përmasave të gjera, të cilat ishin shtrirë në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare e që ndikuan fuqishëm në politikbërjen e pushtetmbajtësve, por edhe të grupeve ilegale politike, si dhe në politikbërjen për Kosovën të faktorit ndërkombëtar.

     Zhvillimet e pranverës së vitit 1981 mund të cilësohen edhe si protesta. Ishin protesta kundër një regjimi të huaj, i cili shqiptarët i trajtonte si qytetarë të rendit të dytë. Protestohej për kushte të rënda të banimit dhe të ushqimit të studentëve, por protestohej edhe për varfërinë e prapambeturinë, në të cilën gjendej tërë populli shqiptar nën ish’Jugosllavinë.

     Ngjarjet janë identifikuar kryesisht si demonstrata. Dhjetra e qindra mijëra shqiptarë të të gjitha shtresave e kategorive shoqërore dhe nga të gjitha krahinat ishin ngritur për ta refuzuar regjimin kolonial, nën të cilin shqiptarët nuk shihnin perspektivë të mjaftueshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor, etj. Demonstratat artikuluan zërin atdhetar të shqiptarëve për barazi, liri e demokraci.

     A ishin zhvillimet e vitit 1981 lëvizje kombëtare? Ato ndikuan thelbësisht në ngritjen e vetëdijes kombëtare, siguruan vazhdimësinë deri në luftën për çlirimin e Kosovës dhe të luftërave në Kosovën Lindore e Maqedoni. Pa lëvizjen e vitit 1981 nuk do t’i kishim as demonstratat e viteve 1982, 1983, 1988, 1989, 1990, dhe sidomos nuk do t’i kishim tri luftërat çlirimtare në fund të shekullit të kaluar.

     Shumëkush ngjarjet e vitit 1981 i ka cilësuar si kryengritje. Çarmatosja në Besi e konvojit të milicisë speciale, të ardhur nga Serbia, e argumenton më së miri këtë cilësim. Gjatë demonstratave në shumë qytete ka pasur të vrarë e të plagosur nga të dyja anët; nga milicia dhe nga demonstruesit. Në Prekaz u zhvillua një betejë e armatosur mes milicisë dhe një familjeje shqiptare, ku gjithashtu kishte të vrarë dhe të plagosur. Në Gjakovë ndodhi një përleshje mes milicisë dhe rinisë, në të cilën mbeti një i ri i vrarë. Një përleshje e tillë ka ndodhur edhe në Besianë. Pra, ngjarjet e vitit 1981 kishin elemente të theksuara të kryengritjes, por nuk ishin kryengritje, sidomos nuk ishin kryengritje e armatosur.

     Edhe pse qysh në vitin 1981 kishte disa shkëndija, ato nuk arritën të ndiznin luftën e armatosur. Atëherë ende nuk ishin krijuar kushtet e rrethanat politike për fillimin e një lufte të armatosur, ashtu siç ndodhi në vitin 1998. Megjithatë, ngjarjet e vitit 1981 ia vunë themelet e forta luftës së mëvonshme, e cila u zhvillua në vitet 1998 - 1999.  Nuk ishte e rastësishme njëra ndër parullat kryesore në demonstrata: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, parullë, e cila paralajmëronte luftën çlirimtare në Kosovë. Atëherë flitej e përflitej se njerëz të caktuar kishin dalë në male dhe se po fillonte lufta çlirimtare. Ishte çeta e Llapit, e cila kishte dalë maleve dhe po planifikonte fillimin e një lufte të armatosur.

     Regjimi i atëhershëm, duke përfshirë edhe pushtetmbajtësit shqiptarë dhe klasën politike të Kosovës, ngjarjet i klasifikuan si kundërrevolucionare. Shqiptarët nuk kishin për qëllim përmbysjen dhe pastaj marrjen pushtetit, as në nivel të Federatës, as në nivel të Krahinës. Madje, atyre atë kohë nuk i interesonte pushteti. Cilësimi i demonstratave si kundërrevolucion i shërbente regjimit shovinist e hegjemonist serbo-jugosllav për ta dënuar popullin shqiptar me represion sistematik shtetëror.

     Në fjalorin tonë politik ngjarjet e vitit 1981, si dhe ato para e pas këtij viti, shpesh i kemi cilësuar edhe si rezistencë kombëtare. Elemente të rezistencës na shfaqen edhe në Pranverën Shqiptare, porse zhvillimet e atij viti nuk mund t’i emërtojmë me këtë emër. Dy parulla, të brohoritura dendur nëpër demonstrata anembanë Kosovës ishin; “Jemi shqiptar, s’jemi jugosllav” dhe “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Këto parulla shprehnin më së miri karakterin e rezistencës kombëtare kundër asimilimit dhe tjetërsimit etnik të shqiptarëve, si dhe kundër shfrytëzimit kolonial të pasurive tona kombëtare.

     Të gjitha ngjarjet e vitit të madh 1981, që patën ndikim vendimtar për të ardhmen tonë, populli, me një fjalë, i ka emërtuar si Pranvera Shqiptare ‘81. Dhe, kjo Pranvera Shqiptare ’81, shembëllen shumë me Lidhjen Shqiptare 1878.

     2.

     Është bërë shumë zhurmë në lidhje me organizimin e demonstratave! Është bërë e bëhet edhe sot pyetja hipotetike: - Kush i organizoi demonstratat? Pushtetmbajtësit e atëhershëm gishtin e kishin drejtuar nga Shqipëria. Është thënë madje se demonstratat i ka organizuar UDB’a, KGB’ja, CIA, shtetet e Perëndimit etj. Këto pohime tendencioze ishin përpjekje dhe etiketime monstruoze, me qëllim të diskualifikimit të karakterit liridashës të demonstratave dhe për zhvlerësimin e tyre në sytë e opinionit të brendshem dhe të atij ndërkombëtar. Asnjë dokument, qe 30 vjet, nuk e tregoi dhe nuk mund ta tregojë ndonjë argument se demonstratat nuk i kanë organizuar vetë shqiptarët.

     A ishin spontane apo të organizuara? Një grup studentësh ishte përgatitur për organizimin e një proteste apo demonstrate, për të cilën ishte përcaktuar një plan veprimi dhe në të cilat do të shtroheshin një varg kërkesash sociale dhe politike. Drejtimin e demonstratave shpejt e morën grupet dhe organizatat ilegale politike, të cilat kishin vepruar me dekada dhe që kishin rol vendimtar në të gjitha ngjarjet e atij viti dhe në vitet e mëvonshme, deri në luftën çlirimtare.

     A ishin të manipuluara apo të nxitura nga qarqe të huaja demonstratat? Jo! Demonstratat u nxitën nga gjendja e rëndë dhe varfëria, nga prapambeturia e diskriminimi politik e ekonomik që u bëhej shqiptarëve nga regjimi serb e jugosllav, nga ndjekjet e vazhdueshme të elementit atdhetar dhe të inteligjencies përparimtare. Shqiptarët u provokuan rëndë edhe nga intervenimi brutal i njësive speciale milicore të Beogradit në demonstratat e 26 marsit dhe të 1, 2 e 3 prillit. Ndaj këtyre provokimeve populli u përgjigj me dalje edhe më masive në demonstrata dhe me kërkesa edhe më këmbëngulëse politike.

     3.

     Demonstruesit u akuzuan edhe për orientimin e tyre ideologjik! Madje, u akuzuan se kanë tentuar të krijojnë një republikë “staliniste”. Ishte kjo një gënjeshtër, një spekulim ogurzi, me qëllim të justifikimit të masave fashiste, që regjimi po i ndërmerrte kundër demonstruesve dhe, përgjithësisht, kundër popullit shqiptar. Nuk do të kishte njeri normal i cili do të kujtonte, aq më pak, të tentonte të vepronte për krijimin e një republikë tjetërfare, me sistem e ideologji të ndryshme nga sistemi e ideologjia zyrtare e shtetit federativ. Demonstruesit kërkonin barazimin juridik e politik të shqiptarëve në Federatë, kurse barazimi apo përparimi i Kosovës në Republikë nënkuptonte edhe të drejtën juridike për vetëvendosje deri në shkëputje, e drejtë kjo të cilën shqiptarët do të mund ta konsumonin më vonë, kur të krijoheshin kushtet e rrethanat e përshtatshme politike.

     Nuk ka dyshim se demonstruesit ishin të ndikuar nga shteti shqiptar, të cilin e quanin “shteti amë”. Nuk ka dyshim, gjithashtu, se në demonstrata është brohoritur, në raste të rralla e të veçanta, ndonjë parullë ideologjike. Por, edhe këto parulla, në brendinë e saj, kishin karakter politik dhe atdhetar. Përmes tyre mëtohej të kundërshtohej ideologjia zyrtare e regjimit titist, e cila, gjithashtu, mbështetej në ideologjinë komuniste. Duke pas parasyshë rrethanat e kohës, ideologjia zyrtare e shtetit jugosllav nuk mund të kundërshtohej e as të luftohej me kërkesa apo parulla antikomuniste.

     4.

     Regjimi titist nxitoi t’i cilësonte demonstratat se ishin të organizuara nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Sigurisht, demonstratat dhe ngjarjet tjera të vitit 1981 ishin edhe nacionaliste, por në kuptimin pozitiv të fjalës. Por, ato nuk ishin nacionaliste, në kuptimin negativ, ashtu siç i paraqiste propaganda e zhurmshme e regjimit titist, sepse nuk ishin të drejtuara kundër popujve tjerë dhe as nuk shprehnin urrejtje ndaj të tjerëve.

     Mund të themi se zhvillimet politike të vitit 1981 nuk ishin as irredentiste, çfarë i paraqiste propaganda titiste. Populli, përmes demonstratave, kërkonte barazi nacionale, d.m.th. të barazohej me popujt tjerë në kuadër të shtetit ekzistues. Tjetër është se realizimi i kësaj kërkese mundësonte legalizimin e të drejtës për vetëvendosje, deri në shkëputje.

     Duke e ditur se shprehja irredentizëm nuk i përshtatej apo nuk i përgjigjej plotësisht qëllimeve të regjimit për njollosjen e karakterit të demonstratave, pas disa viteve ata, në vend të akuzave për irredentizëm, filluan të akuzonin për separatizëm. Po ta marrim kushtimisht Pranverën Shqiptare si pjesë e lëvizjes kombëtare për çlirim, mund të cilësohet edhe si lëvizje separatiste. Por, nëse ndalemi vetëm te demonstratat e vitit 1981, ato nuk janëtë tilla, edhe pse ato çonin drejt  ndarjes dhe pastaj bashkimit, d.m.th. drejt separatizmit.

     5.

     Për nga karakteri, demonstratat ishin paqësore. Demonstruesit ishin krejtësisht të paarmatosur dhe nuk paraqisnin asnjë rrezik për organet e shtetit. Vetëm më 2 e 3 prill, si pasojë e revoltës pas intervenimeve brutale të organeve shtetërore në demonstratat e 26 marsit e 1 prillit, në duar të demonstruesve kishte edhe gurë apo shkopinjë, me qëllim vetëmbrojtjeje, por që përsëri nuk paraqisnin rrezik për organet shtetërore. Mirëpo, tronditja që iu bë themeleve të shtetit, bëri që regjimi të reagojë ashpër dhe demonstratat t’i shndërrojë në demonstrata të përgjakshme. Kundër demonstruesve u përdorën të gjitha armët e milicisë dhe ato ushtarake, duke filluar nga gazi lotsjellës e deri te tanket e aeroplanat. Në altarin e lirisë ranë dëshmorët e parë, por kishte të vrarë edhe nga pala kundërshtare. Faktikisht, demonstratat dhe të gjitha zhvillimet e vitit 1981 dhe të viteve pasuese ishin zhvillime demokratike. Populli shqiptar nën ish-Jugosllavinë kërkonte realizimin e kërkesave politike e sociale në mënyrë demokratike. Mirëpo, përgjigjja e regjimit ndaj kërkesave të popullit erdhi e rrufeshme; me përdorimin e dhunës e terrorit, me masa drakonike të represionit sistematik shtetëror, me makinerinë shurdhuese të propagandës antishqiptare...

     6.

     Duhet të theksojmë edhe karakterin mbarëkombëtar të Pranverës Shqiptare ’81! Demonstrata, protesta dhe ngjarje tjera janë zhvilluar anembanë trojeve shqiptare nën okupim dhe te shqiptarët në emigracion. Me to janë solidarizuar të gjithë shqiptarët, kudo që kanë jetuar. Një mbështetje e fuqishme ka ardhur nga shteti amë - Shqipëria, e cila, pos përkrahjes së parezervë, doli në mbrojtje të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavinë. Populli u solidarizua në masë të madhe me zhvillimet politike të vitit 1981. Pos pjesëmarrjes masive në demonstrata, pos shkruarjes së parullave gjithandej nëpër Kosovë, ndjenja e solidarizimit u manifestua edhe me veshjet “kuq e zi”, me dukjen e shenjave dalluese kombëtare, siç është vënia në kokë e plisit, si simbol i identitetit kombëtar, me konsumimin e cigareve të prodhuara në Kosovë me emrin “Bozhur” e dukuri tjera.

     7.

     Si u etiketuan demonstratat dhe demonstruesit? Pushtetmbajtësit, edhe ata shqiptarë, në propagandën e tyre, gjatë dhe pas demonstratave, kanë deklaruar:

     - se demonstratat ishin të parakohshme, të nxituara e të dëmshme për Kosovën,

     - se për shkak të demonstratave Kosovës iu mor autonomia,

     - se demonstratat i organizoi regjimi serb me qëllim që t’i qëronte hesapet me popullin shqiptar,

     - se nuk kishte pas nevojë për demonstrata,

     - se shqiptarët ishin kombësi e barabartë në Federatën jugosllave, por ishin elementet armiqësorë, të cilët u përpoqën t’i armiqësonin me kombet e kombësitë e Jugosllavisë,

     - se demonstratat na e prishën rehatinë,

     - se demonstruesit u përpoqën ta shkatërrojnë vëllazërim - bashkimin e kombeve e kombësive të barabarta,

     - se demonstruesit ishin kundërrevolucionarë, banditë, armiq të popullit, elementë destruktiv - turbullues, huliganë, terroristë, irredentistë, separatistë, romantikë nacionalë, tradhtarë të popullit e çka jo...!

     Demonstruesit, nga ana e tyre, e vlerësonin klasën politike të Kosovës, pushtetmbajtësit shqiptarë dhe intelektualët kameleonë si të shitur, tradhtarë, spiujë, sahanlëpirës, titistë, laramanë etj. Sepse, klasa politike e intelektuale e kësaj kohe, në vend se t’i përkrahte kërkesat popullore, u rreshtua në anën e armikut e kundër popullit, duke u bërë argatë të zellshëm të regjimit shovinist e kolonialist të Beogradit.

     8.

     Është për t’u theksuar fakti se të gjitha demonstratat e vitit 1981, si dhe grupet e organizatat ilegale politike kishin artikuluar tashmë kërkesën politike për “Kosovën - Republikë”, kërkesë, e cila ishte shndërruar shpejt në një platformë politike të tërë lëvizjes kombëtare në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Për herë të parë dhe të vetme, në demonstratën e 26 marsit, u arrit të zhvillohej një dialog, në formë të negociatave, mes studentëve, nga njëra anë dhe përfaqësuesve të institucioneve politike të ish’Krahinës së Kosovës, nga ana tjetër. Negociatat nuk dhanë asnjë rezultat, kurse menjëherë pasoi intervenimi brutal i milicisë speciale serbe.

     9.

     Pasi demonstratat u cilësuan nga regjimi si armiqësore, kundërrevolucionare, nacionaliste e irredentiste, filloi ndjekja e studentëve, e nxënësve, e punëtorëve, e fshatarëve, e arsimtarëve, e intelektualëve përparimtarë... Ndjekja masive e popullit shqiptar u manifestua me arrestime, burgosje, vrasje, diferencime ideopolitike, izolime, leçitje të familjeve atdhetare, përjashtime të nxënësve e studentëve nga shkollat, fakultetet e konviktet, largimet e punëtorëve nga vendet e punës... Që nga viti 1981 e deri me shpalljen e pavarësisë, shqiptarët kaluan nëpër kalvarin e vuajtjeve të pafund, të diskriminimit nacional, të gjenocidit, të kategorizimit si qytetarë të rendit të dytë, të jetesës nën trysni politike e sociale, të përceptimit të tyre si fajtor të përhershëm në Federatë... Megjithatë, populli ynë nuk i ndali asnjëherë përpjekjet e veta titanike për t’i realizuar aspiratat e veta për liri e bashkim kombëtar. Në bazë të këtyre përpjekjeve, erdhëm deri këtu, ku jemi sot.

* ) Referat i mbajtur në konferencën shkencore “Demonstratat e vitit 1981, kthesë e madhe në lëvizjen kombëtare shqiptare”, Prishtinë, 3 e 4 qershor 2011.

 

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

 

    * ) Berat Luzha, i lindur më 08.01.1953 në fshatin Begracë të  Kaçanikut, u burgos më 10 shkurt 1982 ndërsa më 10 korrik 1982 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në bazë të aktgjykimit: P.nr. 69/82 -  të shpallur nga Trupi gjykues në krye me Isak Nishevcin, në “emër të popullit” denohet me 12 vjet burgim.

 

 

 

     Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë - Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse ëshët dyshuar se Hydajeti është vrarë.

 

     Në këtë proces gjyqësor u dënuan: 1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burgim, 2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burgim; 3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burgim; 4. GANI SYLA, me 15 vjet burgim; 5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burgim; 6. BERAT LUZHA, me 12 vjet burgim; 7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burgim; 8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burgim; 9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burgim; 10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burgim; 11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burgim; 12. AZEM SYLA, me 5 vjet burgim; 13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burgim; 14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burgim; 15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burgim; 16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burgim; 17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burgim; 18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burgim; 19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burgim.

     Më 25 Nëntor 1983, këtij grupi të intelektualëve ( në Gjykatën Supreme të Kosovës - me aktgjykimin A.p - nr. 135/83, të shpallur nga Trupi gjykues:  1. AQIF TUHINA - kryetar i trupit gjykues, 2. TADEJ RODIQI - anëtër i trupit gjykues, 3. SHEFQET BYTYQI - anëtar i trupit gjykues, 4. MIODRAG BËRKLAQ - anëtar i trupit gjykues, 5. HALIL HALILAJ - anëtarë i trupit gjykues), iu plotëfuqizohet dënimi i shpallur nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës me aktgjykimin P.nr. 69/82, datë 10 korrik 1982.

 

Lexoni faqen e parë të Aktgjykimit A.p - nr. 135/83

të shpallur nga Gjykata Supreme e Kosovës

 

 

A.p - nr. 135/83

 

NË EMËR TË POPULLIT

 

     Gjykata Supreme e Kosovës - kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Aqif Tuhina, kryetar, Tadej Rodiqi, Shefqet Qytyqi, Miodrag Bërklaq dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtorin profesional Qerim Metaj, procesmbajtës, në lëndën penale të të akuzuarve: Jakup Krasniqi nga Negrovci, Mehmet Hajrizi nga Prishtina, Gani Syla nga Kishnareka, Nebih Murtaj nga Prishtina, Berat Luzha nga Begraca, Sherafedin Berisha nga Prishtina, Ismail Syla nga Kishnareka dhe Jahir Hajrizi nga Prishtina, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore të parashikuar nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ dhe të akuzuarve: Sheqir Zeneli nga Prapashtica, Fehmi Plakiçi nga Nekovci, Azem Syla nga Kishnareka, Xhevdet Syla nga Prishtina, Fatmir Krasniqi nga Tërpezi, Ferit Qollaku nga Gajra, Hysni Hoti nga Caralluka, Kadri Luzha nga Begraca, Mustafa Ademi nga Prishtina dhe Jashar Alijaj nga Kovraga, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 136 par. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ...

( ... )

 

Lexoni faqen 1, 3, 4 dhe 24 të këtij Aktgjykimi:

 

 

 

 

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

 

Gjermani - Heidelberg, 21. 05. 2011: Berat Luzha, Zeqir Gërvalla, Adem Demaçi, Ramadan Pllana dhe Sami Krasniqi, në Tribunën kushtuar 30 vjetorit të Pranverës 1981.

( Ilustrimet i përgatiti: Sheradin Berisha )

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

© Pashtriku.org, 07. 06. 2011

.

 

 

 

 

DEMONSTRATAT E VITIT 1981

KTHESË E MADHE NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE

 

 

 

    Nga 3 - 4 qershor 2011 në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 - kthesë e madhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, e organizuar nga Shoqata e të burgosurve politik të Kosovës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në këtë konferencë morën pjesë, studiues dhe historianë nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësues të shoqatave dhe të institucioneve të Kosovës,  ish të burgosur politikë dhe veprimtarë të shumtë nga mërgata shqiptare, si dhe familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës së UÇK’së. Përkufizimi i kësaj konference ishte: Pranvera e vitit 1981 e afirmoi dhe e ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur të Kosovës, për më tepër ajo e përgatiti dhe e kaliti lëvizjen tonë çlirimtare dhe gjithë kombin për sfidat tona të ardhshme. (Sh.B)

 

 

Nga konferenca shkencore

 

Fjala përshëndetëse e znj.Saime Isufi, kryetare e Këshillit Organizativ në Zvicër, për shënimin e 30 Vjetorit të Demonstratave të vitit 1981

 

 

Shkruan: Saime Isufi 

 

     Të nderuar organizatorë të kësaj konference kushtuar demonstratave të vitit 1981! Në emër të Këshillit Organizativ për Shënimin e 30 Vjetorit të Demonstratave të vitit 1981 në Zvicër, ju falënderoj për ftesën e bërë për pjesëmarrje në këtë Konferencë kushtuar 30 vjetorit të këtyre demonstratave! Përshëndes gjithashtu me respektin më të madh familjet e dëshmorëve, të atyre që këtë copë lirie të fituar e vulosën me gjakun e shenjtë e jetën e tyre të shtrenjtë! Ju përshëndes të gjithë juve që ishit veprimtarë, pjesëtarë dhe aktivistë në demonstratat e vitit 1981 si në Kosovë e Tetovë;  poashtu edhe në diasporë!

     Të nderuar zonja e zotërinj!

     Ndihem e nderuar që marrë pjesë në këtë konferencë, në këtë 30 vjetor të rëndësishëm, i cili më shumë se kurrë më parë u shënua dhe po vazhdon të shënohet me manifestime të shumta në të gjitha trojet tona, por edhe në diasporë.

    Këshilli Organizativ në Zvicër, në këtë përvjetor të rëndësishëm ka zhvilluar me sukses tri aktivitetet e parapara: aktivitetin e parë e zhvilloi më 15 janar 2011, duke  organizuar „Akademi përkujtimore“ në Bernë të Zvicrës, kushtuar tre prijësve të demonstratave të vitit 1981 në mërgim, dëshmorëve:  Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Aktiviteti i dytë u organizua më 6 mars 2011, në Neuenhof me emërtimin: „Tribunë kushtuar demonstratave të vitit 1981“. Tribuna ishte njëditore dhe në të u paraqitën 48 veta me kumtesa, punime, shkrime e kujtime rreth demonstratave të vitit 1981. Këshilli Organizativ  ka zgjedhur edhe një redaksi e cila do të punoj rreth grumbullimit, klasifikimit, përpunimit, redaktimit e botimit në një libër të veçantë të të gjitha kumtesave, shkrimeve e kujtimeve të prezantuara në tribunë. Aktiviteti i tretë i Këshillit Organizativ, ishte mbajtja e manifestimit qendror në Baden, më 9 prill 2011, të cilin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitete e veprimtarë si: presidenti Rexhep Mejdani, zotërinjtë: Zymer Neziri, Hydajet Hyseni, Ali Lajçi e Bajram Kosumi, Hasan Ukëhaxhaj, Hasan Malaj e Faridin Tafallari. Poashtu manifestimin e nderuan edhe ambasadorë e konsuj shqiptarë në Zvicër, Gjermani e Austri. Aktivitetet e Këshillit Organizativ po vazhdojnë edhe në Kosovë me prezantimin e filmit dokumentar kushtuar demonstratave të vitit 1981 që do të shfaqet në kinemanë ABC në Prishtinë. Dhe përmbyllja e aktiviteteve kushtuar këtij jubileu të madh e të rëndësishëm do të bëhet me botimin e një libri, i cili veç kumtesave, shkrimeve e kujtimeve të Pranverës së vitit `81, do të përfshijë edhe tri aktivitetet e Këshillit Organizativ të mbajtura në Zvicër, të cilave do t’u bashkangjiten edhe kumtesat e veprimtarëve në Gjermani, të prezantuara në „Tribunën e nderimit“, mbajtur më 21. 05. 2011 në Heidelberg.  Të tria aktivitetet e Këshillit Organizativ janë përcjellur nga shumë  gazetarë e televizione si: „RTK“, „Diaspora“, „Fakti ditor“, „Bota sot“ etj. Me këtë rast, nuk mund të lë pa përmendur përkushtimin dhe kontributin e dhënë të Këshillit Organizativ gjatë veprimtarisë intensive gjashtëmujore në dymbëdhjetë mbledhjet e mbajtura, si dhe kontributin financiar e cila kaloi shumën mbi 17.000 frangë si të veprimtarëve ashtu edhe të bashkatdhetarëve, në organizimin e këtyre tri aktiviteteve dhe nga të cilat para, asnjë cent nuk u përdor për harxhime të anëtarëve të Këshillit, por ato u përdorën vetëm për organizimin e aktiviteteve. Të gjitha kontributet e harxhimet janë transparente e do të botohen.

     Të nderuar të pranishëm,

     nuk mund të rri pa thënë se diaspora ishte dhe mbetet pjesë e rëndësishme dhe kryesore apo thënë më shkurt strumbullari i të gjitha ngjarjeve të rëndësishme që kanë ndodhur në Kosovë. Ajo copë lirie në Kosovë, nuk e teproj nëse them, erdhi nga perëndimi. Por kjo nuk është vlerësuar; ajo sikur është lënë anash; me dashje apo pa të, e dinë më mirë pushtetarët tanë. Por një gjë duhet ditur: në perëndim u botuan gazeta e libra që s’bëheshin dot në Kosovë dhe veprimtarët nga mërgimi i futën me rreziqe të mëdha në atdhe;  ku u zunë nga forcat serbe; u dënuan e u vranë në burgjet jugosllave; si Zijah Shemsiu; u vranë edhe tre udhëheqësit, prijësit e demonstratave në perëndim si: Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla. Me protestat e demonstratat e bashkatdhetarëve opinioni i huaj u njoftua për situatën e rëndë në Kosovën e  mbyllur e të izoluar. Bashkatdhetarët tanë mbajtën gjallë familjet skamnore me vite të tëra kur Serbia ua mbylli shqiptarëve vendet e punës dhe shkollat; bashkatdhetarët tanë dhanë vazhdimisht  dhe pa kursim ndihma materiale. Ata organizuan dhe përgatitën UÇK’në, duke marrë edhe pjesë drejtpërdrejtë në të. Dhe ky kontribut nuk duhet harruar. Veprimtarët dhe mërgimtarët gjithë kontributin e tyre e dhanë e do ta japin për atdheun e tyre, për të cilin janë të lidhur me mish e me shpirt. Çdo gjë që kanë bërë e bëjnë për Atdheun e tyre dhe s’ka forcë që i shkëput nga ai dhe dashuria pë të.  Dhe për këtë ata ndihen e do të ndihen krenar e të qetë.  Ama po të ndjenin edhe dorën e shtetit të tyre, do të ndiheshin edhe më mirë. Në përmbyllje të fjalës sime dua të shtoj se: demonstratat e Vitit 1981 bënë kthesë të madhe në zhvillimet e mëtutjeshme që çuan përpara çështjen tonë të pazgjidhur; por edhe tundën themelet artificiale të Jugosllavisë së atëhershme. Shqiptarët e filluan copëtimin e Jugosllavisë, ndërkaq të tjerët e gjetën gati dhe fituan. Prap ne mbetëm të fundit. Pse vallë po ndodhë kështu me ne? Çfarë fituam ne? Ku jemi ne? Ku po shkojmë kështu? Janë këto pyetje që ia bëjmë vetes por edhe njëri-tjetrit shpeshherë. Dikush thotë se historia ishte e padrejtë me ne; të tjerët na pushtuan; na gllabëruan; na copëtuan…etj,. Po a mund ta bënte këtë ndokush pa patur ndihmën tonë?! Assesi. Ne vetë i kemi ndihmuar me dashje a pa dashje kësaj gjendjeje. Uroj që gjeneratat e reja të jenë të më zotët të veprojnë më drejtë e më mirë.

 

Saime Isufi

Kryetare e Këshillit Organizativ në Zvicër për Shënimin e 30 Vjetorit të Demonstratave të Vitit 1981. Prishtinë, 03. 06. 2011

 

 

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 ISHIN DHE MBETËN VEPËR E POPULLIT TË KOSOVËS. ATYRE U PRINË VEPRIMTARËT, ANËTARË

TË ORGANIZATAVE ILEGALE SI NË KOSOVË ASHTU EDHE NË MËRGIM

 

 

Shkruan: Saime Isufi 

 

 

     Kanë kaluar 30 vjet nga Pranvera e Madhe e Vitit 1981 dhe sot e kësaj dite demonstratave gjithëpopullore të asaj pranvere u janë dhënë vlerësime të ndryshme; secili sipas mënyrës dhe formës  së vet: dikush i quajti të hershme; dikush të nxitura nga Serbia për të shkaktuar gjakderdhje në Kosovë; dikush tjetër të nxitura nga Shqipëria e cila sikur kishte pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë e dikush të organizuara nga  „nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar“;  e shumë dikusha të tjerë u dhanë vlerësime nga më të ndryshmet këtyre ngjarjeve të mëdha, të cilat trandën themelet e Jugosllavisë së atëhershme, por edhe bënë kthesë të paparë në ndërgjegjen e popullit tonë por edhe në ngjarjet e mëvonshme. Çfarë nuk u tha e nuk u kurdis pas këtyre ngajrjeve, dhe e gjithë kjo me një qëllim të vetëm: që kjo vepër madhore e popullit tonë, e paparë ndonjëherë në historinë tonë, të zbehej, të zvogëlohej e të minimizohej; deri aty sa një ditë edhe të harrohej. Por, ndodhi dhe po ndodhë e kundërta: as atëherë dhe as sot këto demonstrata nuk u harruan, nuk u zbehën e zvogëluan, por rëndësia dhe roli i tyre doli dhe po del në dritë;  dhe sa më shumë vite po kalojnë ato po  gjejnë vendin e vet të merituar në historinë tonë të lavdishme; ato demonstrata tundën e shkundën themelet e kalbëzuara të Jugosllavisë së atëhershme dhe bën një kthesë të jashtëzakonshme dhe të paparë në ngjarjet e rëndësishme e të lavdishme të popullit tonë që do të pasonin më vonë.

     Udhëheqja jugosllave e asaj kohe dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë deshën t’i fshihnin shkaqet e vërteta që e shtyn popullin shqiptar të ngritet në demonstrata. Ata e dinin mirë se shkaqet ishin pozita e vështirë dhe e pabarabartë e Kosovës dhe e popullit të saj, nën shtypjen e shfrytëzimin e egër dhe të shumëfishtë që ushtrohej mbi masat punonjëse, në mungesën e një sërë të drejtash dhe lirish kombëtare e demokratike, në pakënaqësinë e madhe që mbretëronte kudo dhe që shtohej çdo ditë, por i fshihnin ato, sepse pikërisht ata dhe politika e tyre ishin shkaktarë të një gjendjeje të tillë dhe rrjedhimisht edhe të shpërthimit të demonstratave që u bënë në Kosovë. 

 

Pranvera 1981...

 

     Të pakënaqur ishin punëtorët, të pakënaqur fshatarët, i pakënaqur dhe i revoltuar i gjithë populli; me një fjalë: i gjithë populli ishte mbështetur për muri, andaj mjaftonte një shkëndijë dhe e tërë Kosova të merrte flakë. Dhe kjo shkëndijë kaherë e pritur u ndez më 11 mars nga studentët trima të Prishtinës. Ishin pikërisht ata studentë që në një formë a tjetër ishin përgatitur të shpërthenin një ditë. Dhe dita erdhi. Duke kujtuar shpërthimin e revoltës më 11 mars në mensën e studentëve i jam referuar deklaratës së studentes të asaj kohe, ajo që hodhi pjatën më 11 mars në mensën e studentëve, Bahrije Kastrati e cila në Konferencën e Gruas, mbajtur më 2 e 3 prill 2010 në Prishtinë,  ndër të tjera theksoi: „ …e gjitha ishte një skenar i përgatitur nga studentët që vepronin ilegalisht për çështjen kombëtare siç ishin: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Agim Paçarizi, Teuta Hadri, Bahrije Kastrati, Ali Lajçi,  Bajram Kosumi, Kadri kryeziu, Ramadan Gashi, Jonuz Jonuzaj, Ajete Lloluni, Shemsi Syla e shumë të tjerë. Skenari ishte përgatitur më herët që ta bëjmë aktin konkret të shpërthimit të revoltës në mënyrë demonstrative dhe të drejtpërdrejtë, ashtu që të fillojë protesta për të cilën ishim të bindur se do të gjejë përkrahje tek të gjithë studentët dhe tek i gjithë populli. Për këtë akt kemi diskutuar për një kohë të gjatë me Xhevën, Agimin dhe Babën Dyl (babai i Xhevë Krasniqit), për formën e fillimit të protestës, mënyrën, momentin dhe kohën e përshtatshme që ky demonstrim të jetë sa më i fuqishëm dhe i suksesshëm për arritjen e qëllimit tonë, i cili fillimisht do të shpalosej si protestë për përmirësimin e kushteve të studentëve në universitet dhe në mensë…“

     Demonstrata e filluar në mensë në formë proteste për kushte më të mira shpërtheu në revoltë e demonstratë nëpër rrugët e Prishtinës. Edhepse kërkesat e parullat e demonstratës së parë ishin me karakter social dhe ekonomik, ato u cilësuan si armiqësore dhe jo vetëm që nuk u përfillën fare kërkesat e studentëve, jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për përmirësimin e gjendjes së tyre, por ndaj demonstruesve u përdor dhuna policore. Kjo dhe arrestimet që u bënë në mesin e studentëve e shtuan edhe më shumë pakënaqësinë dhe revoltën e tyre, e cila shpërtheu më me forcë e vendosmëri edhe në demonstratën e 26 marsit. Studentëve në këtë demonstratë iu bashkuan edhe një numër jo i vogël i punëtorëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë. Përveç parullave të mëparshme, në përgjithësi ekonomike e sociale, kësaj here u ngritën edhe kërkesa dhe parulla politike. Demonstrata e 26 marsit ishte më popullore dhe  mori edhe më shumë karakter politik. Në këtë demonstratë u brohoritën këto parulla: „Kushte për studentët!“, „Kushte për punëtorët!“, „Çmimeve stop!“, „Poshtë robëria, rroftë liria!“, „Trepça është jona!“, „Kosova Republikë!“ etj.  

     Krerët tradhtarë , duke u hequr se gjoja po bisedojnë dhe po merren vesh me studentët, arritën t’i mashtrojnë ata dhe të fitojnë kohë për t’u përgatitur më mirë. Gjatë kësaj kohe u mobilizuan jo vetëm forcat e policisë dhe të sigurimit por edhe ato të ushtrisë e të forcave speciale të Beogradit të cilat u hodhën si bisha mbi studentët e pambrojtur në konviktet e tyre duke i rrahur e gjymtuar barbarisht si dhe duke u hedhur gaz lotsjellës. Dhuna dhe terrori i egër fashist jo vetëm nuk i frikësoi rininë tonë të zjarrtë dhe popullin tonë trim, por përkundrazi e shtuan më shumë urrejtjen dhe pezmin e tyre ndaj armiqve dhe tradhtarëve. Benzina që iu hodh zjarrit që kishte shpërthyer, sigurisht që nuk do ta shuante atë, por do ta shtonte edhe më tepër. Dhe kështu ndodhi.

     Kupa e pakënaqësisë dhe revoltës ishte mbushur edhe më parë, por tani nuk zinte më. Në këmbë u ngrit i gjithë populli. Dhjetëra, mijëra, punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës, zejtarë e intelektualë u bashkuan si një trup i vetëm në një bllok të fuqishëm e të paparë. Në ballë të popullit dhe në mesin e tyre si gjithnjë veprimtarët e organizatave ilegale për t’i dhënë drejtim kërkesave popullore. Për opinionin tashmë është i njohur veprimtari Hydajet Hyseni, i cili që nga viti 1978 jetonte dhe vepronte në ilegalitet, para hundëve të xhandarëve e policëve serbë, herë në Kosovë e herë në Zvicër, gjithnjë sipas nevojës. Ai  para masës u paraqit si „punëtor i Ramiz Sadikut“, me fjalimin e tij të zjarrtë e të paharruar. Në ditët e 1 e 2 prillit, nga të gjitha anët e Prishtinës, lumenj të mëdhenj demonstruesish, duke çarë përmes reve të gazit lotsjellës, plumbave dhe bajonetave u derdhën në qendër të qytetit, u bashkuan dhe formuan aty një det të paparë. Grushti i fuqishëm i popullit dhe kërkesat e tij të drejta u kallën tmerrin armiqve dhe tradhtarëve, të cilët pa asnjë paralajmërim, pa asnjë përpjekje për t’u marrë vesh me popullin që kërkonte të drejtat e veta por që kërkonte edhe llogari e përgjigje për ato që kishin ndodhur më parë, iu përgjigjën popullit me një sulm tjetër më brutal e më çnjerëzor se ato të mëparshmet. Dhe tani jo vetëm me gaz lotsjellës e kërbaç, por edhe me armë zjarri, duke vrarë e plagosur kështu të rinjtë tanë, ndër ta edhe anëtarët e OMLK që ishin vazhdimisht në ballë të demonstruesve si: Naser Hajrizin, Asllan Pirevën e Riza Matoshin.

 

 

     Me qëndrimin e tyre frikacak, kapitullues dhe krejtësisht antipopullor e antishqiptar, shërbëtorët shqiptarë dhe sahanlëpirësit e Beogradit, jo vetëm që nuk përkrahën  luftën e drejtë të popullit, por morën anën  e armiqve dhe në deklaratat e tyre si autoparlantë të regjimit, nuk lanë gjë pa thënë kundër rinisë e popullit tonë, e sidomos duhet veçuar qëndrimin e tyre ndaj rinisë, të cilën e quajtën si „damkllosëse e popullit shqiptar“, „prishëse e vëllazërim-bashkimit“, „thyese izllogash për të vjedhë mallin“, „pleh i Kosovës“… etj., etj. Në këtë mënyrë, udhëheqja jugosllave dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, u përpoqën të fshehin shkaqet e vërteta të revoltës popullore. Ata e dinin mirë se shkaqet e vërteta ishin gjendja e pabarabartë e popullit të Kosovës, nën shtypjen e shfrytëzimin e egër, në mungesën e një sërë të drejtash dhe lirive kombëtare e demokratike, në pakënaqësinë e madhe që mbretëronte kudo dhe që ushtrohej çdo ditë. Në çdo fjalim rreth demonstratave thuhej se: „masat u mashtruan nga parullat demagogjike që u hodhën“, por nuk thuhej pse ato parulla ishin demagogjike dhe, deri sa ishin të tilla, si qenka e mundur t’u shkojë populli prapa. Por edhe një gjë ishte atëherë e çuditshme, krerët jugosllavë dhe ata shqiptarë nuk i zinin në gojë parullat e demonstruesve si: „Duam punë!“, „Ktheni kurbetçinjtë!“, „Çmimeve stop!“, „Lironi shokët!“, „Të burgosurit Kosovarë ktheni në Kosovë!“ etj.

 

VEPRIMTARËT NË MËRGIM NË BALLË TË DEMONSTRATAVE TË BASHKATDHETARËVE TANË

 

     Bashkërendimi i veprimtarisë në mes të anëtarëve të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë, me veprimtarët e tyre në mërgim, çoi në organizimin e mobilizimin e mërgimtarëve për organizimin e demonstratave edhe me bashkatdhetarët. Siç dihet ndër bashkatdhetarët, Kadri Zeka ishte i vendosur të dilte pa humbur kohë në përkrahje të kërkesave të shtruara nga rinia dhe populli i Kosovës dhe kështu organizoi bashkë me veprimtarët e tjerë që tanimë ishin të organizuar në OMLK, demonstratën e parë, më 11 prill 1981 në kryeqytetin e Zvicrës. Ata ishin si: Hasan Malaj, Zijah Shemsiu, Kadri Avdullahu në bashkëpunim të ngushtë edhe me miqtë zviceranë, pa të cilët ishte e vështirë e ndoshta e pamundur të organizoheshin demonstrata të tilla të fuqishme dhe të suksesshme, por edhe të papara ndonjëherë në Perëndim si: Beat Schaffer, Kathrin Asal, Mischel e Sara Gretler etj. Kësaj demonstrate iu bashkangjitën edhe Jusuf Gërvalla e Ibrahim Kelmendi, me vepritmarët në Gjermani si pjesëtarë të organizatave ilegale, LNÇKVSHJ dhe Fronti i Kuq Popullor. Këto demonstrata, u organizuan dhe udhëhoqën nga prijësit e njohur të asaj kohe ndër mërgimtarët: Kadri Zeka, vëllezërit Gërvalla e Ibrahim Kelmendi.

 

Cyrih 1980: Kadri Zeka me Hydajet Hysenin.

 

     Ato u organizuan në kryeqendrat më të mëdha perëndimore si në: Bernë, në Gjenevë, në Cyrih, në Shtutgart, në Bon, në Frankfurt, në Bruksel, në Vjenë, në Dyseldorf etj. Vetëm gjatë vitit 1981 u organizuan nëntë demonstrata në perëndim. Në këto demonstrata mërgimtarët tanë dolën në përkrahje të kërkesave të popullit të Kosovës të shtruara në Pranverën e Madhe të atij viti historik. Ata me trakte, parulla  e peticione njoftuan opinionin ndërkombëtar për padrejtësitë që i bëheshin popullit në Kosovë; për demonstratat popullore; për kërkesat e popullit të Kosovës të shtruara në këto demonstrata; për burgosjen e vrasjen e bijave e bijve më të mirë të popullit; për të drejtën e shqiptarëve për liri e barazi me gjithë popujt tjerë në ish-Jugosllavi; për drejtësinë e statusit të Republikës për Kosovën, të kërkuar nga populli në këto demonstrata; për rrethimin e hekurt që kishte bërë udhëheqja e Beogradit në Kosovë dhe se opinioni botëror nuk dinte  se ç’po ndodhte atje, derisa nuk lejohej të futej asnjë gazetar i huaj për t’u njohur me realitetin.

     Kur në Kosovë e vërteta fshihej, mbytej e nuk dihej ç’po ndodhte dhe shtypi legal ishte tërësisht i cenzuruar; kur Kosova ishte izoluar nga bota dhe informacioni i vërtetë në shtyp nuk ekzistonte, rreze drite përhapeshin në  adresën e gazetës ilegale „Liria“ dhe e fondit „Ndihma për Kosovën“ në Badhausstrasse në Biel të Zvicrës. Adresa ishte hapur në vitin 1980 në librarinë e çiftit Beat Schaffer e Kathrin Asal më 1980 nga Kadri Zeka e Hydajet Hyseni. Kjo adresë shërbeu gjithnjë si bazë orientuese por edhe informative  për mërgimtarët anë e kënd botës. Me qindra e mijëra gazeta, broshura, letra e korrespondenca erdhën e dolën nga kjo adresë. Në këtë librari në kuadër të bibliotekës „Liria“, u botuan edhe vepra shumë të rëndësishme politike, informative e patriotike si: „Shpërngulja e shqiptarëve“ e Vaso Çubrilloviqit, përmbledhja me poezi në dy vëllime: „Këngët e lirisë“, vepra „Gjarpinjtë e gjakut“ e Adem Demaçit, „Vepra“ e Kadri Zekës,vepra e Jusuf Gërvallës, „Qëndresa“ e Rexhep Malajt, „Pranverë e luleve të kuqe“ e Nuhi Berishës; për vite me radhë u botua „Zëri i Kosovës“; vepra e botime të tjera, të cilat është vështirë të përfshihen në një shkrim të tillë. Ndërkaq në Gjermani Ibrahim Kelmendi nxirrte gazetën „Bashimi“ e Jusuf Gërvalla gazetën „Lajmëtari i lirisë“.

 

     Çerrja e maskës para opinionit ndërkombëtar që i bënin veprimtarët e mërgimtarët shqiptarë me protestat e demonstratat e tyre si dhe zbehja e imazhit pozitiv që gëzonte atëbotë Jugosllavia në opinionin ndërkombëtar, ishte goditje e papranueshme dhe e padurueshme e shtetit të atëhershëm jugosllav, andaj UDB-a kriminale përgatiti dhe likuidoi në tokën gjermane tre prijësit e mërgimtarëve tanë: Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën, duke e goditur kështu mu në kokë lëvizjen në mërgim. Rënia e këtyre tre udhëheqësve në krye të detyrës për bashkimin e forcave që vepronin bashkërisht, por vetëm formalisht mbanin emra të ndryshëm në organizatata, ngriti në këmbë dhe mobilizoi me mijëra forca të tjera, duke vazhduar edhe më me hov veprimtarinë dhe dhënë kështu kontributin në forma të ndryshme deri në çlirimin e Kosovës.

     Pra, demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981 në Kosovë, të mbështetura menjëherë edhe nga bashkatdhetarët në mërgim ishin dhe mbetën ngjarje që i dhanë hov dhe e çuan përpara çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve. Ato edhe pas 30 vjetësh, por edhe pas qindra vitesh nuk do të zbehen, por  se do të ndriçohen edhe më dhe  do të  dalin ashtu siç ishin në të vërtetë: PRANVERË E LULEVE TË KUQE!; sepse u lanë me gjakun e rinisë së Kosovës, siç do të shkruante në ditarin e tij pjesëmarrësi aktiv në këto ngjarje, sot dëshmor i Kosovës, Nuhi Berisha. VITI `81 BËRI KTHESË NË HISTORINË MË TË RE TË KOSOVËS DHE ÇOI RROTËN E HISTORISË PËRPARA. Ndërkaq pararoja e popullit në demonstrata ishte dhe mbetet rinia e organizuar në grupe të ndryshme ilegale të Kosovës. Ndër këta të rinj vlen të përmenden anëtarët e OMLK-së. OMLK ishte ndër organizatat ilegale me një veprimtari të bujshme dhe më jetëgjata në Kosovë. Kjo organizatë ka anëtarët e saj që nga demonstrata e parë, më 11 mars e deri tek ato të fillimit të muajit prill 1981, si në Kosovë, ashtu edhe në mërgim, pa përmendur këtu edhe ata që vazhduan më tutje në Lëvizjen në mërgatë; në luftën e lavdishme të UÇK-së e edhe të atyre që sot janë në funksione të larta shtetërore të Kosovës.

Saime Isufi  - Prishtinë, 03. 06. 2011

Kjo kumtesë u lexua në Konferencën shkencore “Demonstratat e vitit 1981 - kthesë e madhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” në Prishtinë.

 

                                                                                                                                        © Pashtriku.org – 05. 06.  2011

 

 

 

 

 

1 9 8 1’ta

RISHTROI PËR ZGJIDHJE ÇËSHTJEN E KOSOVËS

 

 

Demonstratat e vitit 1981 - hapën një etapë kthese të luftës çlirimtare

 

     Fundi i Luftës së Dytë Botërore, rezultoi me zgjedhë të re për Kosovën dhe popullin shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1912. Pavarësisht prej çmimit të shtrenjtë që shqiptarët paguan në luftën kundër fashizmit dhe pavarësisht prej parimeve të proklamuara nga aleatët jugosllavë në këtë luftë, Kosovës dhe shqiptarëve të saj iu mohua e drejta themelore e shprehjes së vullnetit politik të artikuluar në Rezolutën e Bunjajt. Pozita e re koloniale e tyre u sanksionua në kuvendin famëkeq të Korrikut të vitit 1945 të mbajtur në Prizren, i përgatitur në rrethanat e regjimit të administrimit ushtarak, i vendosur në Kosovë qysh në muajin shkurt të atij viti. Pas këtij kuvendi, për shqiptarët në Kosovë e në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavinë socialiste të Titos, jeta koloniale ndryshoi vetëm formën por jo edhe përmbajtjen. Metodat e shtypjes, dhunës dhe shfrytëzimit mbretëror serbo-kroato-slloven ndaj shqiptarëve u zëvendësuan me ato të socializmit jugosllav, që në thelb personifikonte regjimin kriminal të pushtetit serb.

     Forma e re e skllavërisë për Kosovën dhe shqiptarët u kamuflua me frazeologjinë komuniste dhe me demagogjinë e të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim të popujve të federatës jugosllave. Në të njëjtën kohë, nga gjiri i shqiptarëve u fuqizua një kastë kolaboracionistësh, e cila u përkushtua me devocion në shërbim të regjimit në Beograd. Tradhtarët shqiptarë, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha, Ali Shukria, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Veli Deva, Mehmet Maliqi e të tjerë, të shquar edhe në përiudhën e kryengritjes së Drenicës, por edhe gjatë tërë periudhës së pushtetit ushtarak, të veshur me aoreolën e pushtetit, shfrytëzuan të gjitha mjetet për ta paraqitur skllavërinë e re jugosllave si parajsë dhe si të vetmen rrugë për prosperitetin dhe lirinë e bashkëkombësve të tyre. Po ashtu, ata bënë të gjitha përpjekjet për të futur urrejtjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtetit shqiptar dhe për të shkaktuar përçarje brendakombëtare.

 

Triada kolaboracioniste: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ali Shukrija, të cilët me

përkushtim e devocion punuan në shërbim të regjimit pushtues...

 

     Në këto rrethana, populli shqiptar i Kosovës, i hyrë në skllavërinë e re i rraskapitur nga lufta, i tradhtuar, i uritur e i çarmatosur, si dhe i gjakosur e i masakruar nga ekspeditat ndëshkuese ushtarake të pushtetit të Titos, u përball me një realitet të rëndë, të cilin fatkeqësisht nuk ishte në gjendje ta sfidonte. Mirëpo, ai ishte i vetëdijshëm se për të po fillonte një epokë e re e skllavërisë dhe se vuajtjet e mëdha do të vinin pastaj, bashkë me përpjekjet e pareshtura për të dalur nga robëria serbe dhe për ta çliruar vendin, bazuar në aspiratën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për bashkim kombëtar.

     Rruga e vështirë që populli shqiptar i Kosovës kaloi në dekadat e pastajme dëshmon luftën e pandalshme për liri e mbijetesë kombëtare që ai bëri. Kjo luftë kaloi nëpër etapa të caktuara të kushtëzuara nga rrethanat objektive e subjektive të kohës, e cila pati ngritjet dhe rëniet e saj. Një etapë kthese të luftës çlirimtare hapën demonstratat e vitit 1981, e cila nuk do të pushojë për asnjë çast, deri në kulmimin e saj në epokën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përfundim të shekullit 20.

 

Kërkesa “Kosova-Republikë” - platformë identifikuese e epokës që hapi viti 1981

 

     Siç dihet, zhvillimet e Vitit 1981 në Kosovë aktualizuan një kërkesë - platformë të mëhershme politike, e cila kishte vegjetuar në mendjen e shqiptarëve herë si vetëdije e herë si ndërdije, por asnjëherë më parë nuk ishte shtruar vendosmërisht në kohën Jugosllavisë së Titos. Kjo kërkesë nuk ishte fashitur asnjëherë deri në momentin e përshtatshëm për t’u shtruar për zgjidhje në mënyrë të hapur, të qartë e përfundimtare. Ky moment erdhi në vitin 1981. Nëse përmbajtja e ngjarjeve të caktuara historike mund të kuptohet nga imperativi që atyre ua parashtron koha, edhe kërkesa “Kosova-Republikë” paraqet në formë të sintetizuar përmbajtjen e ngjarjeve të mëdha të Pranverës së vitit 1981. Kjo kërkesë u përqafua nga të gjithë shqiptarët atdhedashës, pa marrë parasysh shtresimin e tyre ideologjik, fetar, klasor e regjional. Me një fjalë, ajo u bë kërkesë gjithëpopullore dhe kornizë veprimi në vazhdimësinë e rrugës së lëvizjes kombëtare për realizimin e synimeve shekullore për lirinë dhe bashkimin e trojeve të ndara padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë natyrale.

     Në anën tjetër, komponentet e kërkesës kryesore politike “Kosova-Republikë”, siç ishin parullat: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Lirojini të burgosurit politikë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”, e të tjera, pasqyronin pozitën reale të shqiptarëve në Kosovë, si qytetarë të shtypur dhe pozitën e Kosovës si koloni e shfrytëzuar. Në këtë kontekst, për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trojet nën ish-Jugosllavi, duke mos përjashtuar as shqiptarët brenda Republikës së Shqipërisë dhe në mërgim, republika u ngrit më lart sesa në simbolikë të subjektivitetit të tyre kombëtar, duke u bërë pjesë e strategjisë së lëvizjes kombëtare të kohës, përkufizimi i së cilës ishte bërë me fleksibilitet të duhur politik e në harmoni me konstelacionet politike ndërkombëtare e me rrethanat ekzistuese në vend. Respektimi i këtyre rrethanave flet për karakterin realist të kërkesës “Kosova - Republikë”, si një formë e mundshme dhe fazë e realizueshme e zgjidhjes së çështjes kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, si pjesa më e rëndësishme e çështjes së pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve nën Jugosllavi.

 

...Viti 1981...

 

     Protagonistë të platformës politike kombëtare republikane ishte lëvizja e fshehtë e forcave kombëtare, e cila kishte shtrirë organizimin e saj në Kosovë e pothuajse kudo në trojet e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi, pra në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi. Po ashtu, duhet theksuar faktin se mërgata ishte prapavija më e fuqishme mbështetëse e kësaj lëvizjeje të organizuar. Disa prej organizatave të tilla, sidomos në fund të viteve ’70 të shekullit 20 kishin ngritur cilësinë e organizimit dhe kishin shtuar ndikimin e tyre në masat popullore në aspektin e ndërgjegjësimit kombëtar. Organizatat më të mëdha të kësaj periudhe, siç ishin Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, Fronti i Kuq, Lëvizja Revolucionare Nacionalçlirimtare Shqiptare, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi e të tjera, ndonëse në kushte të konspiracionit, tashmë kishin krijuar disa kontakte dhe kishin vënë hapat e parë të bashkëpunimit e të koordinimit të veprimeve politike. Prandaj, në rrethanat e krijuara, mund të thuhet se organizimet ekzistuese pasqyronin nivelin e gatishmërisë së faktorit subjektiv për t’iu përgjigjur sfidave të cilat po impononte faktori objektiv, i cili faktor ishte në nivel dukshëm më të lartë.

     Sidoqoftë, pa ndikimin e frymës mobilizuese të organizatave që kishin vepruar dhe po vazhdonin të vepronin në shërbim të çështjes kombëtare, në vitin 1981 nuk besohet se do të kishte Pranverë, e sidomos është e sigurt së ajo pranverë nuk do të ishte e tillë çfarë ishte dhe as rrjedha revolucionare e ngjarjeve të pastajme nuk do të ishte e tillë çfarë ishte. Marsi, Prilli dhe Maji i vitit 1981 u bënë treguesit më të mirë të gatishmërisë së popullit të Kosovës për t’u ballafaquar me aspiratat e tij historike. Ata qitën në sipërfaqe forcën e tij vullkanike deri atëherë të ndrydhur, e cila u pasqyrua jo vetëm në masivitetin, dinjitetin dhe pathyeshmërinë e demonstratave gjatë asaj pranvere, por sidomos në aspektin e organizimit, ku themelimi i grupeve e organizatave të fshehta me qëllim për t’iu përgjigjur situatës mori përmasa të rrufeshme. Tani ishte fare e qartë vendosmëria e popullit shqiptar të Kosovës për t’i shkuar deri në fund kërkesës për ta bërë Kosovën republikë, duke pasur për bazë edhe një platformë të përpunuar veprimi, siç ishin Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës.

 

81’ta hapi procesin dekolonizues në miniperandorinë ballkanike titiste

 

     Epoka që hapi viti 1981 me shkëndijat e 11 e 26 Marsit dhe me shpërthimin e dufit revolucionar të rinisë dhe të shtresave të tjera të popullit të Kosovës në demonstratat e  1, 2, e 3 Prillt mori dimensionet e një procesi të gjatë e përfundimtar dekolonizues, jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për popujt e tjerë, për të cilët Jugosllavia tashmë ishte bërë një ngrehinë shtypëse e shfrytëzuese e dominuar nga hegjemonizmi serb. Në realitet, Kosova simbolizoi jo vetëm fillimin, por edhe fundin e kësaj epoke dekolonizuese të miniperandorisë ballkanike titiste, e cila u përmbyll me luftën e përgjakshme të armatosur, pas gati dy dekadash përballjeje me një luftë të ashpër speciale të pushtuesit serb kundër qenies fizike, shpirtërore e kombëtare shqiptare. Ky fakt flet vetvetiu për pozitën e rëndë që Kosova kishte si koloni e dyfishtë e kësaj miniperandorie. Ç’është e vërteta, në rrethanat ekzistuese kryengritja e shqiptarëve të Kosovës më 1981, apriori nuk kishte për objektiv shpartallimin e një shteti konglomerat, siç ishte federata jugosllave. Mirëpo, aktualizimi i kërkesës për statusin e republikës së Kosovës që nënkuptonte edhe statusin e kombit për shqiptarët e saj, si çështje jetike për barazinë e tyre, u bë kusht i domosdoshëm për vazhdimin e ekzistencës së asaj federate, fakt që u dëshmua në periudhën e pastajme. Duke qenë në natyrën e pushtuesit kolonizator, hegjemonizmi serbomadh u egërsua tejmase në raport me shqiptarët dhe duke dalur në terrenin e hapur të luftës kundër tyre, përshfaqi aspiratat e vërteta hegjemoniste edhe kundër popujve të tjerë në federatë, e sidomos kundër popullit kroat e atij slloven. Prandaj, mohimi, injorimi dhe luftimi i të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për të pasur statusin e shtetit e të kombit, parashkroi dhe përshpejtoi shpartallimin e një federate artificiale mbi 35-vjeçare me prejardhje nga një mbretëri tripalëshe serbo-kroato-sllovene.

 

Demonstratat kryengritëse të vitit ’81 ishin edhe paqësore edhe demokratike

 

     Njohja e statusit të kombit për shqiptarët në Kosovë, çështje që u shtrua qartësisht dhe vendosmërisht në demonstratat e vitit 1981, nuk ishte kërkesë ekstreme, siç u cilësua në atë kohë nga provinienca zyrtare jugosllave, e cila do ta destabilizonte e do ta rrezikonte ish-Jugosllavinë, por tashmë ajo ishte bërë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e saj. Mirëpo, kjo proviniencë nuk deshi ta përfillte këtë kërkesë realiste, duke denjuar më parë shpërbërjen e federatës jugosllave, sesa barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë brenda saj. Megjithëse protagonistët e lëvizjes politike që u identifikuan dhe në njëfarë mënyre u bënë bartës të kërkesave që shtruan demonstratat e pranverës së vitit 1981, asnjëherë nuk mohuan faktin se zgjidhja përfundimtare dhe e drejtë e çështjes shqiptare në Jugosllavi do të mund të bëhej vetëm përmes revolucionit popullor dhe pa mohuar faktin se një moment i tillë do të vinte më vonë, në këtë fazë ata u përqendruan në metodat paqësore të demonstrimit të kërkesës politike për republikën e Kosovës. Madje për shkak të rrethanave të brendshme e ndërkombëtare dhe konstelacionit ekzistues të forcave, përqendrimi në kërkesën politike për republikë kushtëzoi parcializimin e çështjes shqiptare në Jugosllavi. Siç dihet kërkesa Kosova-Republikë nuk shtronte për zgjidhje gjithë çështjen shqiptare në Jugosllavi, pasi ajo ishte një kërkesë konformiste dhe e pjesëshme, megjithëse brenda saj përvijohej në mënyrë latente aspirata e gjithë shqiptarëve për pavarësi kombëtare.

     Me gjithë fleksibilitetin e dëshmuar politik, tendenca për të kontestuar karakterin paqësor e demokratik të ngjarjeve kombëtare të pranverës së viti ’81, nuk mungoi. E zgjuar me qëllim herë pas here, sipas saj lëvizja kombëtare në Kosovë bëhet lëvizje autentike kombëtare, lëvizje paqësore e demokratike vetëm pas viteve ‘89/90, meqenëse para kësaj kohe ajo konsiderohet të ketë qenë lëvizje e ideologjizuar, jodemokratike, joautentike etj.. Mirëpo, a mund të vendoset një cilësor i tillë për lëvizjen kombëtare të dinamizuar më 1981? Në kuptimin e vazhdimësisë së veprimtarisë çlirimtare, edhe lëvizja e viteve ’90 të shekullit 20 nuk mund të mos ecte në vazhdën e strategjisë kombëtare të vitit ’81. Kjo vazhdimësi nuk ka të bëjë vetëm me segmentin kombëtar të përmbajtjes së kërkesës “Kosova-Republikë”, por edhe me mjetet e përdorura për realizimin e qëllimit. Kjo vazhdimësi pasqyrohet edhe në epilogun e kësaj lëvizjeje dhe në frytin e korrur si rezultat i luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fund të shekullit 20, pra 18 vjet pas vitit 1981, më 1999.

 

Zürich, 06 Mars 2011: Veprimtarët - Bejtullah Tahiri, Sejdi Gega, Jashar Alia dhe Sylë Mujaj,

gjatë punimeve të Tryezës, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981.

 

     Është mirë e ditur se edhe para 2 korrikut të vitit 1990, shqiptarët përherë kishin deklaruar se Republika e Kosovës ishte shpallur qysh më 1981, pavarësisht nëse atë do ta njihte apo jo, ish-Jugosllavia. Tendenca e shprehur aty-këtu, qëllimisht ose pa pandehur, për ta konsideruar marshin e minatorëve në nëntor të vitit 1988, si kufi që ndan lëvizjen tonë çlirimtare, është tendencë për ndarjen artificiale të kësaj lëvizjeje me këta kufij, prandaj si e tillë është tendencë pa mbështetje historike. Qasja e këtillë ndaj këtyre ngjarjeve historike mëton që lëvizjes së viteve ’90 t’i mohohet baza e saj historike, pra lëvizja e viteve ’80 e më herët. Kualifikimi si paqësore dhe demokratike vetëm i pjesës së lëvizjes kombëtare në Kosovë pas vitit 1989-1990 dhe konstatimi se shqiptarët në Kosovë, vetëm në vitin 1989 e tutje përqafuan rrugën paqësore e demokratike, si dhe format joviolente për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare, paraqet diskualifikimin e drejtpërdrejtë dhe shtrembërimin e karakterit të lëvizjes së dinamizuar në pranverë të vitit 1981. Pohimi i këtillë, a priori lë të kuptohet se para vitit 1989, shqiptarët kishin përdorur format jopaqësore, jodemokratike, prandaj edhe violente të luftës për realizimin e qëllimeve kombëtare.

     Asnjë argument nuk mund ta kundërshtojë tezën se edhe në pranverën e vitit 1981 dhe në periudhën pasuese, shqiptarët në Kosovë ishin të përcaktuar për formën paqësore e për mjete politike  për zgjidhjen e çështjes së tyre. Ata demonstruan hapur dhe kërkesat e tyre i deklaruan legalisht, në rrugë. Eshtë e ditur se përkundër dhunës brutale policore-ushtarake, në demonstratat e vitit 1981, shqiptarët as iu përgjigjën dhunës me dhunë, as rrezikuan jetën e as vranë ndonjë qytetar joshqiptar. Mbase në favor të këtij konstatimi më së miri flet fakti se edhe atëherë kur masa e demonstruesve, në shenjë ekzaltimi e kundërshtimi ndaj zbarkimit të forcave speciale policore nga Serbia dhe e atyre federative (rasti i njohur i Besisë afër Prishtinës) çarmatosi këto forca policore intervenuese, armët e rrëmbyera në atë rast nuk i zbrazi mbi to. Pastaj vetvetiu flet edhe fakti se intervenimet e panumërta policore-ushtarake mbi familjet shqiptare, rrethimet, arrestimet e përditshme të njerëzve, bastisjet e përditshme dhe shumë sulme e aksione të tjera të policisë e të ushtrisë serbe e jugosllave, të cilat provokonin rëndë jetën e shqiptarëve, patën ngelur pa kundërpërgjigjen e kërkuar e të merituar.

     Po këto përcaktime kishte edhe lëvizja e organizuar e periudhës së veprimit të fshehtë, e cila u bë mbështetëse e fuqishme e kërkesës për republikën e Kosovës. Në komunikatat, pamfletat dhe shkrimet e saj, në mënyrë të qartë bëhej dallimi midis aparatit të dhunës shtetërore në njërën anë dhe popujve në anën tjetër. Forma e fshehtë e veprimit dhe organizimit të lëvizjes kombëtare në atë kohë ishte imponuar nga rrethanat ekzistuese dhe ajo duhet shikuar si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shtypjes shtetërore që ushtrohej mbi shqiptarët e ripushtuar, të cilët duhej të çanin me gjak e djersë rrugën e tyre për liri. Prandaj organizimi dhe veprimi i fshehtë në atë periudhë ishte kusht i domosdoshëm për ta çuar përpara çështjen kombëtare dhe në asnjë rrethanë ai nuk mund të merret e të interpretohet si argument për të kontestuar karakterin e drejtë e atdhetar të lëvizjes politike të kohës, apo për t’i veshur demonstratat e vitit ’81 dhe kerkesat e tyre me petkun ideologjik e konspirativ.

 

Sot është momenti të rishtrohet për zgjidhje çështja shqiptare në Ballkan

 

     Gjithsesi, në vitin 1981, kërkesa për republikën e Kosovës ishte një kërkesë revolucionare, realizimi i së cilës nënkuptonte avancimin e ndjeshëm të pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si rezultat edhe të çështjes së tyre kombëtare. Rikthimi te ngjarjet e mëdha të atij viti, tridhjetë vjet më vonë, mundëson të kuptohet drejt se kërkesa për republikën e Kosovës ishte një imperativ që e kishte imponuar koha dhe e kishte përqafuar populli i saj. Fatmirësisht, këtë imperativ e kurorëzoi me sukses Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën e saj titanike, në vitet 1997, 1998 e 1999. Megjithatë domosdo duhet të shtrohet pyetja: A është zgjidhur përfundimisht çështja e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë politike? A shtrohet para nesh edhe sot një imperativ i kohës? Dhe, a ka populli ynë potencial të gatshëm për t’iu përgjigjur këtij imperativi?

     Siç dihet, Kosova sot është republikë dhe shtet i shpallur si i pavarur. Mirëpo për fat të keq, duhet pranuar fakti se lufta fitimtare çlirimtare e UÇK’së nuk rezultoi edhe me bërjen e shtetit plotësisht të pavarur e sovran dhe si pasojë e negociimit të kësaj pavarësie nga klasa servile dhe e padinjitetshme politike në pushtet, negociim i sponsoruar nga UNMIK’u dhe EULEX’i, sot një pjesë e konsiderueshme Kosovës qeveriset nga pushteti i Serbisë, ndërsa e ashtuquajtura Pako e Ahtisarit e bën edhe më të pasigurt të ardhmen e saj. Realiteti në Kosovë, ku nuk kanë mjaftuar as 12 vitet e pasluftës për t’u stabilizuar gjendja e për t’u trasuar perspektiva e saj, si dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në Çamëri tregon qartë se perspektiva e vërtetë e Kosovës dhe e shqiptarëve në këto treva të trungut të atdheut të tyre do të hapet vetëm pasi të shtrohet për zgjidhje çështja e plotë kombëtare. Kjo zgjidhje duhet të kërkohet në kuadrin e parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes politike, si një e drejtë e patjetërsueshme, por e pashfrytëzuar deri tash edhe për shqiptarët.

     Siç ka secila ngjarje e madhe dhe secila kërkesë e kohës bartësit e saj, edhe kërkesa që sot imponon koha do të ketë projektuesin dhe përmbaruesin e saj. Sikurse që në vitin 1981, përgjegjësinë historike për ta përfaqësuar kërkesën Kosova-Republikë e kishte marrë lëvizja e organizuar e fshehtë e kohës dhe përgjegjësinë për ta udhëhequr dhe finalizuar luftën çlirimtare në vitet 1997-1999 e barti Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sot çështjen tonë kombëtare, mund ta shpiejë tutje vetëm ajo forcë politike kombëtare, e cila A’në dhe ZH’në e programit të vet veprues e mbështet në të drejtën e vetëvendosjes politike të kombeve për të sjellur kombin shqiptar në gjendjen normale dhe për të formuar shtetin normal shqiptar, në një Shqipëri kombëtare historike.

_______________________________________________________________________________________________________

 

     Shënime biografike:

     Jashar Alia ka lindur më 28. 12. 1949 në Suhogerllë.  Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka të regjistruar Fakultetin Ekonomik. Nga viti 1971 ka qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare “Grupi Revolucionar” si dhe anëtar i OMLK’së në vitin 1975. Ka qenë i burgosur politik dhe ka vuajtur herën e parë pesë vite burg, ndërsa edhe gjashtë vite burg i ka vuajtur prej vitit 1981...

     Nezir Myrtaj ka lindur më 13. 03. 1954 në Uçë, fshat në komunën e Burimit (Istog). Aktualisht jeton në Prishtinë. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega Fizikë, Universiteti i Prishtinës (1973-1977). Nga vitet 1976 deri më 2005 ka ligjëruar lëndën e fizikës. Nga viti 2005 punon në Ministrinë e Energjetikës dhe Minierave, Udhëheqja e divizionit te Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë.  Aktiviteti i tij politik është zhvilluar në kuadër të lëvizjes kombëtare të kohës, në vitet e 70-80. Nga viti 1981 deri më 1990 ka qenë i burgosur politik. Ka qenë anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, Prishtinë (1991-1998). Nga viti 1998 deri më 1999 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

 

 

Foto’albumi i kastës politike komuniste’titiste:

 

Brione, 24.06.1966: Veli Deva dhe Ali Shukrija në takim me Josip Broz - Titon.

Treshja Titiste: Ali Shkurija, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi, në një

mbledhje të KQ të LKJ’së në Beograd.

Treshja titiste: Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe Xhavit Nimani në takim

me Titon në Beograd.

 

Ish’pioneri i Titos: Azem Vllasi, gjatë dhënies së betimit në APJ!

 

( Ilustrimet i përgatiti moderatori i www.pashtriku.org )

 

                                                                                                                                 © Pashtriku.org - Maj 2011

 

 

DEMONSTRATAT E VITIT `81 DHE KARAKTERI I TYRE GJITHËPOPULLOR

( Fragment nga një punim më i  gjërë, i lexuar në Aargau )

 

( Shkruan: Brahim I. AVDYLI - Neuenhof'Aargau  )

  

     Demostratat e vitit 1981 nuk mund të vështrohen shkëputur prej ngjarjeve para tyre, të vitit 1968. Në to u dha shkëndija e parë e shpehjes së vullnetit të ndrydhur të popullit shqiptar të Kosovës, i cili kishte hequr gjatë nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene; nga Lufta e Dytë Botërore; nga Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë, nga ana e vendosjes së „diktaturës së komunizmit“; apo nga ana e vrasësit serb, Aleksadër Rankoviçit, të cilat kishin vrarë qindra-mijë shqiptar të pafajshëm. Për këto vrasje të pakursyera do të dënohet më vonë në shenjë të vendosjes së „socializmit vetëqeverisës“. Kjo „reformë“ taktike nuk i dha asnjë të mirë popullit shqiptar. Ai ishte një popull i varfër, i vrarë pa mëshirë, i dënuar dhe i stërdënuar dhe i ç`armatosur.

     Viti 1981 erdhi si moment i shpërthimit të energjisë së revoltuar e të drejtë të rinisë përparimtare të përgaditur në Universitetin e Prishtinës, pas disa brezave të shtypur nga dhuna shtetërore kryesisht serbo-maqedono-malazeze, dhe të gjendjes së mjeruar njerëzore, sociale dhe etnike. Kjo rini e kishte ndërtuar në heshtje botën e vet, ëndërrat e veta dhe pafajësinë si gjeneratë. Ajo ishte ende „fëmijë“ i pafajshëm, por që e ndjente me zemrën e pasherr e të pastërt revoltën e gjeneratave të tëra, që nuk kishin shkollë si ata, por që vuajtjet e pafundme të një regjimi të padrejtë i kishin sjellur deri aty.

     Revolta ishte rritur e nxitur nga një vullkan i thellë i zemrës së vuajtur shqiptare. Rinia më përparimtare e Kosovës, që po i hapte sytë e veta si gjeneratë e shkolluar, e ngritur, e gjeti vitin 1981 si vitin më të përshtashëm të shprehjes së revoltës së argumentuar të saj dhe të gjeneratave në emrin e të cilave fliste. Punëtorë dhe fshatarë qenë etërit e tyre, që i rritën me vuajtje dhe shkolluan me vuajtje. Në të vërtetë, ata qënë mbështetësist e parë të rinisë përparimtare shqiptare. Intelegjencia e këtyre dy shtresave, ndonëse ishte me njëren këmbë në pushtet, u bë dalëngadalë mbështetës i brezit 1981, që ishte brezi më i ngritur i të gjitha shtresave të popullit.

     Rinia përparimtare e popullit shqiptar të Kosovës e ngriti kështu zërin e saj të argumentuar për çlirim social, politik e kombëtar nga zgjedha e njohur serbo-sllave, ku pjesa më e ndërgjegjshme e kombit u ngrit gradualisht në shpreshje të qartë, stabile dhe koherente të përpjekjes kundër dhunës, shtypjes, shfrytëzimit e diskriminimit të përgjithshëm që po i bëhej nga regjimi i madh e militarizuar serbo-jugosllav. Kjo ndërhyrje që e bëri rinia jonë e ndërgjegjshme, ka gëzuar e do të gëzojë kurdoherë nderimin e të gjitha shtresave të popullit e vet. Ajo ka ditur t`i mbledhë në një organizim gjithëpopullor, prej punëtorëve deri në fshatarë, si një trupë unike për të drejtat nacionale, njerëzore dhe qytetare. Parolla e saj e hedhur në këtë vit, „punëtorë, fshatarë-jemi një e të pandarë“ u bë busolla e bashkimit të popullit në përpjekje të gjithëmbarëshme për liri kombëtare, sociale dhe qytetare. „Republikë-Kushtetutë, ja me hatër-ja me luftë“ ishte shpreja e saj më konkrete e revoltës së brezit `81, e bezit që kishte sensin e vetëdijes kombëtare dhe shoqërore.

Pamje nga demonstrata e tretë në Gjenevë, me 30 Maj 1981. (Brahim Avdyli në ballë të demonstruesve)

 

     Që nga demostata e parë me 11 mars 1981, në Mensën e Studentëve të Prishtinës e deri më 26 mars dhe 1 e 2 prill 1981 shpërtheu vala e protestave të rinisë studentore, duke u zgjeruar në përmasa gjithëpopullore. Numri i demostruesve u shtua kështu në 200.000 vetë anë e kënd Kosovës. Ajo ktheu kështu disponimin e shtresave të gjëra popullore shqiptare në mendimin tonë të përgjithshëm. Mendimi i burokratëve dhe i intelegjisë së mykur në kolltuqet e një regjimi të përgjakur me gjakun e pastërt dhe të drejtë të popullit shqiptar, erdhi gradualisht të këndellet nga letargjia e byrokracisë serbo-jugosllave. Joshja e tyre e përgjumur nga ana e byrokracisë dhe teknokracisë jugosllave në drejtimin e orientuar gabimisht kah kultura, mendimi dhe arti proserb e neojugosllav kishte nevojë të trandet nga lëvizjet e fuqishme të brezit `81. Ky brez nuk shterri sikurse e kishte kualifikuar ajo klasë e fortë shtetërore neojugosllave, por me këte shpërtheu vullneti i ndrydhur i popullit shqiptar. Ky vullnet kishte shpërthyer për të mbrojtur moralisht të drejtat elementare dhe të shkelura të popullit shqiptar brenda kufijve të dhunshëm të ish-Jugosllavisë.

     Vazhdimi i procesit që e synonte realizimin e plotë të barazisë së shqiptarëve erdhi në vrazhdën e proceseve të demokratizimit në Evropë. Evropa pa një demokraci të mirëfilltë të popujve të shtypur rrebtë nuk mund të sanohej në këto zona. Prandaj, disponimi i Brezit `81 vie jo rastësisht në kalkulimet e karakterit politik dhe strategjik mbi rrezikimin e hartës politike të Evropës së vjetër. Ajo ka pasur të pashmagshëm diagnostifikimin e disponimit politik të masave në varshmëni të shtimit të shfrenimit të represaljeve të aparatit shtetëror dhe reaksionin shovinist të politikës serbe. Kështu u shpreh kërkesa themelore e demostratave „Kosova-Republikë“ që ishte e qartë se Serbia dhe Jugosllavia ballafaqoheshin me strategjinë për dekomponimin e Serbisë, të Jugosllavisë, të Ballkanit dhe të Evropës. Kjo vinte në lidhje të demostratave të vitit `68, përkundër zhgënjimit të kombit shqiptar nën Jugosllavinë me „dhënien“ e së drejtës për „kushtetutën e vitit `74“, që vie si kushtetutë e falur për Kosovën si krahinë nën Republikën e Serbisë dhe njëfarë subjekti në federatë, pas gjakut të derdhur nga zemra e popullit shqiptar. Kjo vinte si shprehje e karakterit gjithëpopullor të tyre dhe shprehje e qartë e popullit shqiptar se nuk pajtohej me autonominë gjysmake të vitit 1974 dhe mashtrimin që pretendonte t`a bënte garnitura politike e shovinizmit sllav gjoja për „zgjidhjen e çështjes kombëtare nën socializmin vetqeverisës“.

     Këto ngjarje ishin vazhdimësi e logjikshme të luftës së pandërprerë të popullit shqiptar për çlirim kombëtar, vazhdimësi e ngjarjeve historike të së kaluarës për sendërtimin e individualitetit të kombit shqiptar në trevat e shkëputura me dhunë nga trungu i pandarë i trojeve autoktone shqiptare në Ballkan. Po artikullohej kështu shprehja masive e protestave kundër padrejtësive që po i bëheshin pjesës së kombit shqiptar brenda kufirit të dhunshëm të Jugosllavisë. Ky zgjim i ndërgjegjes erdhi me lindjen, krijimin dhe veprimin e grupacioneve 2+1 kundër pushtetit titist, në luftë të patjetërsueshme për çlirim social e kombëtar.

     Atëbotë ndikimin e tyre më të madh e kishin LNÇKVSHJ dhe OMLK, që vinin në vrazhdën e krijimt të mëparshën të LRBSH.

….Kështu, këto vite të pastajshme i ndihmuan zhvillimit të historisë…

Shënim Biografik:

Brahim I. AVDYLI është pjesëmarrës i demostratave të vitit 1981 dhe anëtar i LNÇKVSHJ-së. Është Magjistër i Shkencave Politike, në Drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, njëkohësisht shkrimtar i përgjithshëm shqiptar…

                                                                                                                         © Pashtriku.org - Maj 2011

 

 

 

 

 

CILI ISHTE ROLI I SHQIPËRISË ZYRTARE

NË DEMONSTRATAT E PRANVERËS 1981 NË KOSOVË

 

 

 

Viti 1981, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës

 

     Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës. Përgjithsisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar, ose më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete tri dekada dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës , mars - prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas, dhe si të tilla ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij. Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.

     Viti 1981, me pranverën që nisi me 11 mars, për të shkuar më pas tek ditët e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit, kishte në vete farën e hedhur të shumë ditëve të ardhshme, që dha fryt, shumë më tepër se sa ishte menduar 17 vite më pas, ne qershorin e vitit 1999. Them se ka qenë një vit provë, sepse, në strukturtat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrësesi i humbur, për të bërë më tej atë që kishin dashur etërit e tyre. Ky brez, thellësishtr romantik dhe krejtësisht atdhetar, doli nëpër rrugë për të filluar një jetë ndryshe. Ishte një brez që dëshmoi historikisht se nuk kishte humbur asgjë në Kosovë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më.

     Beogradi, pas dhunës së tankeve njoftoi për 11 të vrarë. Një shërbëtor i tyre në Prishtinë, Bakalli, tha se ishin vrarë vetëm nëntë vetë. Në se kishte filluar kështu gjakshëm, nuk do të kishte të ndalur. Romantikës dhe atdhedashurisë së një brezi të ri, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arresatimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si për të mos mjaftuar e gjithë kjo,filloi proçesin e jashtëzakonshëm fëlliqës të diferencimit. Kërkohej të diferencohej vllai nga vllai, ati nga djemtë, fëmijët nga prindërit, miqtë nga miku, shokët nga shoku, të afërmit nga të largëtit, të zakonshmit nga të pazakonshmit, kërkohej të bëhej gjithshka e diferencuar. Dosjet e diferencimit janë diku, por mbi të gjitha janë njerëzit që i kanë vuajtur mbi vete gjithë barrën e këtij difrencimi. Gjithshka që donte të krijonte  regjimi i Beograd-Prishtinës qëndronte në mundësinë që, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si e zakonshme, të kishte të drejtën e qytetarisë.

     Këto njerëz, të pazakonshmit, të prangosur, të gjakuar, ashtu si edhe të afërmit e tyre, djemtë apo vajzat nëpër burgjet serbe, u ndjenë të vetmuar,qoftë edhe përkohsisht, e megjithatë, të dy pjesët, edhe ata që ishin jashtë e të burgosur, edhe ata që ishin të burgosur e me mendimin se çfarë do të bënin më tej kur të ishin të lirë, kishin në atë kohë një shpresë, një sfond ku mbështetej halli i tyre, kishin momentin e tyre të pritjes për mbështetjen. Duam apo nuk duam sot, e pranojmë apo nuk e pranojmë, fakt ishte se ata këtë mbështetje e kërkonin dhe e prisnin nga shteti amë, Shqipëria.

     Kryengritja shqiptare në ish Jugollavi, në fillimin e viteve 80 ka qenë pa dyshim, njëra nga ngjarjet , rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta, me të janë marrë e sogurisht do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohsisht edhe spekullantë; janë marrë shkrimtarë e socialogë, historianë, protogonistë, gazetarë, janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive, janë ngritur teza të ndryshme hipozeza të saklta e nga më të çuditshmet, ka patur gjykime e paragjykime, hipoteza nga më të çuditshmet dhe nga më të pazakonshmet, ka patur fillimisht çirrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë. Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamëndjet, thëniet, gjykimet dhe debatat nga më të ashprat dhe nga më të vrullshmet, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.

     Që në fillim janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjitha dilemat e hipotekuara. Në të vertetë është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për të përbaltur ato. Pak ose aspak janë bërë përpjekje për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqiëri, të mendimit intelektual, si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare, si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme. Ishte merak spontan, njerëzor ose i organizuar, apo e verteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi, kishte diçka më shumë vetes dhe përtej së zakonshmes.. kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare... Tek qëndrimi i njerëzve të thjeshtë ndoshta asnjëherë nuk është ulur si duhet mendimi i socilogëve, gazetarëve, dijetarëve, sepse, në pamjen e parë ata nuk duken edhe aq interesante, ata nuk përbëjnë "ngjarje", pra nuk kanë në vete ankthin e zbulimit të së vertetës, nuk përbëjnë lajm, nuk kanë mister..megjithëse kjo nuk është aspak e  vërtetë. Ndoshta më shumë se kudo tjetër tek njerëzit e zakonshëm , politika bën vendin e vet nëpërmjet shfaqjeve që nuk janë edhe aq të dukshme politikisht, por që në të vertetë bëjnë vetë thelbin e politikës.

     Le të sjell dy shembuj të mëvonshëm: Në vitin 1991, pas lëvizjes studentore dhe ndryshimeve jetike politike, të dy partitë e mëdha, demokratike dhe socialiste, në programin e tyre elektoral, kishin edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Partia Demokratike e kishte shumë më të theksuar, shumë më të dukshëm dhe krijoi mendimin se, pas fitores së saj, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare, ishte punë e disa pakkohëve. Megjithëse e kishte kaq shumë të afishuar këtë, kjo nuk e pengoi atë, përkundrazi e ndihmoi që, në votimet e 22 marsit 1992, të merrte rreth 70 për qind të votave të shqiptarëve. Katër vite më pas, të dy partitë e mëdha politike shqiptare, krejt ndryshe nga 4 vite më parë, nuk e kishin as në kontekstin me të largët, çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe vetë Kosova kalonte në planin e dhjetë. Kjo sepse, të dy partitë politike e dinin se, në rrethanat e krijuara, afishimi i një qëndrimi të itllë, sillte humbjen e votave.

Viti 1981 - viti i provës për shqiptarët e Kosovës.

 

     Nuk doja të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres të tillë, të dhimbshëm kombëtar, por shembujt i solla për të patur një lodhje mes asaj që quhet e zakonshme e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmë e ndalemi tek ngjarjet e marsit 1981, qëndrimi i qytetarve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar. Natyrisht , për cilindo lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë? A kishte dijeni Enver Hoxha, përse strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohsisht edhe viti i krtyengritjes shqiptare? A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin apo thjeshtë nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës Kosova -  Republikë apo të thirjes tjetër "Republikë,Kushtetutë - ja me hatër- ja me luftë". A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte kundër krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare...

     Unë do të mundohem të sjell disa nga përjetimet e njëzet e gjashtë viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trusnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjell aftmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës, historisë. Do ja lejoj vetes, që ashtu si i kam ndjekur, dhe ashtu si i kam analizuar më pas, të sjell edhe mendimin tim për ato që ishin aso kohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytëzuar të drejtën nga takimet e mëpasme që kam pasur me disa nga protogonistët në Shqipëri të këtyre ngjarjeve, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ndryshe ose një mendim "për", por të sjell, sado pak, ato të vërteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.

     Le të nisim me atë që përjetuan njerëzit e zakonshëm...

     Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës "Zëri i Popullit" vunë re se, në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më shumë se të zakonshme, kishte një lëvizje përgjithsisht më të ndjeshme se herët e tjera. Zakonisht ndodhte kështu, kur kishte ngjarje të rëndësishme. Aq më tepër se, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funnksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo rradhë herë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër rradhet e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që, përgjegjësi i sektorit të jashtëm, ishte thirrur dy herë, brenda ditës, tek shefi, nuk përbënte ndonjë lajm, sepse kjo kishte qenë shpesh një rutinë e zakonshme.

     Zakonisht, nga ora nëntë e mëngjezit, djemtë e gazetës, si i therrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe kryeministri i sotëm i Shqipërisë, zoti Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjezit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenenetë e tjera. "Zhurmëtarët" zakonisht ishin Pëllumb Bato i "Bashkimit",( nuk e di se ku është tani) Filip Çakulli i "Hostenit", i cili kishte zakonisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij dhe të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i gazetës proqeveritare Fahri Balliu, që aso kohe ishte gazetar special i "Zerit të Popullit". Ishte vënë re se prej dy ditësh, gazetarët e sektorit të jashtëm të "Zerit të Popullit" apo të "Bashkimit" ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, tepër shpejt dhe iknin. Ndërsa ato të RTSH, sektori i jashtëm, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, meqë kishin klubin e tyre, nuk dukeshin. Përgjithsisht, në sektorët e jashtëm të shtypit punonin aso kohe gazetarë nga më të mirët, të aftë dhe patriotë, si u dëshmuan shumë prej tyre në vitet që erdhën. Në "Zeri.." ishte i njohur Shaban Murati, në "Bashkimi" ishte Napoleon Roshi,  në RTSH ishte Bujar Muharremi.

     Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, më shumë jo nga kanalet zyrtare, se sa nga "rebelët" që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se ne Prishtinë kishte pasur demonstrata dy apo tri ditë më parë, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjiths stacionet radiofonike që mund ti kuptonte, më tha, se në Prishtinë kishte pasur një demonstrim të studentëve, por ajo kishte qenë për kushte më të mira jetese dhe ushqimi dhe si duket, nuk kishte pasur asgjë politike. Thënë të vertetën, unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, si më kishte thënë shefi im i atëhershëm, Namik Dokle, do të bëhej në fundin e muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e numrit dy të dikurshëm PPSH-së, Hysni Kapo dhe nëna e gazetarit të sotëm  Andi Bushati, Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, që drejton sot Federatën e Arsimit dhe disa të tjerë. Kishte disa kohë që mardhëniet në dy anët e kufirit ishin në një pikë të lartë intesifikimi. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverie, në Beograd dhe në Tiranë, kishte një periudhë zbutje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra tjetra, përmes atyre që e quanin më të rëndësishme. Qveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjërë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Titranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptarve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, qeveria e Beogradit, ndërsa e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës. Në Tiranë kishte filluar të rozohej paragjykimi se " një shqiptar në Jugosllavi ishte një titist" dhe nuk shihej si një kundërshtar ideologjik, megjithëse shteti shqiptar e dinte fare mirë se, në mesin e të ardhurve, jo pak ishin të tillë.

     Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi, pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta , thuajse në të gjitha lëmitë, ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithsisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit "Kaçanik o shkëmb e gurë..."pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe rihapja e shpejtë e këngëve të saj...të gjitha këto ishin më të se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm. Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, duke pasur edhe një çensurë të kujdesshme, nuk shkruhej kurrë negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj. Termat që dolën më vonë, pas viteve 90 për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as nuk njiheshin dhe as nuk lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emëri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura. Fakti që u vu re më pas, se gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet kishte bërë vetëm tri përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavarësisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës, përkatsisht busti i Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit, apo fakti që Emnver Hoxha, në shenimin e tij për Monumentin e Pavarësisë kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova, kishin qenë të prekshme për njerëzit. Sado që mund të ishe dakord me regjimin, nuk mund as të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, sado që mund të kishin, ashtu si u tha më pas, nënshtresa të tjera, përsëri, në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura.

     Nga ana tjetër, në Universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepin leksionet e tyre korifejtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, Rexhep Mejdani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike, historike,  ribotohej Kadare dhe Agolli dhe Veprat e Plota të Poradecit. Në vitin 1978, me një vemendje tejet të veçantë u përkujtua 100 vjetori i ngjarjeve të Prizrenit dhe për herë të parë, publikisht ajo u quajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke i shtuar kështu, cilësimin Shqiptare, si shenjë e etnisë kombëtare. Deri atëherë ajo ishte quajtur thjeshtë "Lidhja e Prizrenit". Të gjitha këto po sillnin imazhin e ri të lidhjeve të përbashkta dhe, krejt befas, sidomos për njerezit e zakonshëm, erdhi njoftimi se në Kosovë kishte ndodhur diçka.

 

Kur u bë njoftimi i parë zyrtar për demonstratat e 11 marsit 1981

 

     E vërteta është se njoftimi i parë për demonstratat e 11 marsit në Kosovë është bërë i njohur, pra publik, me 17 mars 1981, gjashtë ditë pas zhvillimit të tyre. Ky ishte një njoftim i shkurtër, pa koment, buim i së cilës ishte agjensia e ljameve Tanjug dhe i përforcuar edhe nga disa agjenci të tjera informative. Nuk është bërë ndonjë kujdes i veçantë për afshimin e tyre dhe po ashtu, vemendja ndaj botimit të artikullit apo dhënies së lajmit, nuk ka qenë e një rëndësie të veçantë. Në ditarin radioteleviziv të RTSH ai u dha, pa foto të veçanta, së bashku me lajmet e tjera të dorës së dytë, ndërsa në gazetë "Zëri i Popullit" që ishte aso kohe gazeta kryesore e vendit, me më shumë se njëqindmijë kopje në ditë, shënimi u vendos në faqen e katërt, majtas, aty ku edhe më parë vendoseshin lajmet e përgjithshme të politikës së jashtme. Si do e përcaktojë saktësisht analisti i shquar shqiptar Shaban Sinani," kjo ishte faza e një mpirje të dukshme të opinionit në Shqipëri, që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë, në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim". Ishin disa ditë, në të cilat, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët, ishin në pritje të një zhvillimi të ri apo edhe të ndonjë lajmi më të gjërë se kaq. Kishte një vajtje ardhje më të dendur tek njeri tjetri dhe sidomos tek të afërmit, antenat satelitore të të cilëve mund të shfaqnin pamjet e Radiotelevionit të Prishtinës. Mirëpo edhe aty, pas 11 marsit dhe deri me 26 mars, nuk mund të mësoje më shumë se sa një informacion të zakonshëm, shenja të dënimit të udhëheqjeve të larta politike republikane e krahinore, por të gjitha këto nuk të jepnin përmasat e asaj që kishte ndodhur. Për fat të keq, një mik i imi, shqiptar i Kosovës, Idriz Zeqiraj, me të cilin, në vitin e parë të studimeve universitare, kishim jetuar, për shumë kohë, në një dhomë konvikti, ishte i dënuar dhe, si do e lexoja më pas, në njerën pikë të aktakuzës, kishte, si një lloj marrëzie të kohës, edhe miqësinë me mua. Idrizi ishte dënuar përmes tre dëshmitarëve të rremë, njëri nga të cilët ishte tepelenas, ndërsa dy të tjerët, shqiptarë të Kosovës. Pra nuk kisha burim të brendshëm, mirëpo, ashtu si rreshqitnin ujrat, rreshqitnin edhe fjalët. Kishte filluar të flitej se kishte ndodhur një demonstratë studentore, mirëpo, gjithshka mbështillej rreth togfjalëshit "kushte më të mira jetese".

     Edhe pas shumë vitesh, secili që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka kaluar nëpër ngjarjet e asaj kohe, qoftë edhe si i jashtëm, si ishim ne në Shqipëri, nuk mund ta ketë ndjerë veten jashtë tyre. Disa gjëra mbeten në kujtesë, si ishte dita e 8 prillit 1981, kur për herë të parë, në gazetën kryesore të kohës dhe më pas, disa herë rradhazi në emisione të veçantë radiotelevizive, u dha qëndrimi i shtetit shqiptar. Ishte e diel dhe kisha shkuar në shtëpinë time në Shkodër. Ishte ditë plot diell, krejtësisht pranverë. Nga të gjitha radiot e komshive dëgjoja spikerin e radios tek lexonte, për të disatën herë, tekstin e plotë të Artikullit të parë në "Zërin e Popullit". Gazeta kishte dalur asaj dite me deyfishin e tirazhit të saj, pra në dyqindmijë kopje, dhe që në mengjezin e herëshëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe nëpër të gjitha qoshet e rrugëve kishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa pritur për të shkuar në shtëpi.

     Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit sqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin proregjimit , edhe ata që nuk e donin atë. Unë jam rritur në një familje e cila, në dy degët e mëdha të saj, kishte dy qëndrime të ndryshme. Shtëpia në të cilën jetoja unë, e njohur si "Shtëpia e madhe" e Gjylbegajve kishte qenë që në fillim në rradhët e lëvizjes nacionalçlirimtare dhe kishte dhënë tre dëshmorë, njëri prej të cilëve, vllai i nënës, Naim Gjylbegu, ishte vrarë në Vig të Mirditës, jo nga gjermanët, por nga ballistët e Markagjonit. Shtëpia tjetër, afër nesh, dhe që njihej si "Gjylbegët tek Çinari i Hoxhë Dheut" kishin qenë në anën e kundërt dhe njëri prej tyre, u bë edhe ministër. Sidoqoftë ata kishin qenë gjithnjë të afërta për njëra tjetrën. E solla shembullin, ndoshta gjatë, për të thënë se dy shtëpitë, e mbështetën njëlloj qëndrimin e shtetit shqiptar dhe unë këtë, duke qenë " i brendshëm" e di fare mirë. Mund të shkoj edhe më tej : djemtë e dy shtëpive ishin të gatshëm, në se organizohej diçka, edhe të luftonin për Kosovën, pavarësisht se nën urdhërat e kujt do të ishin.

     Nuk do të flas për reagimet në shtypin apo median e kohës. Për shumë prej tyre mund të besohej se ishte e përllogaritur gjithshka. Për një shtet të centralizuar si Shqipëria, kjo ishte e besueshme. Asnjë lloj fushate propogandistike, edhe ajo më e zakonshmja, mbjelljet e vjeshtës, nuk i lihej rastësisë, e jo ti lihej rastësisë, një ngjarje e tillë madhore. Mirëpo sado të ishte e përllogaritur, ndjehej në deklarimin e të gjithëve se tashmë ishte gjtihshka ndryshe, se gjithshka po kishte një fillesë krejt tjetër dhe një qëndrim, po ashtu, krejt më të natyrshëm. Njerëzit ishin në pritje se çfarë do të ndodhte në të nesërmen, cili lajm i ri do të vinte, dhe kjo nuk ishte shenjë e kuriozitetit, apo e mbushjes së hapësirës informative, por shumë më tepër. Mbaj mend një rast, i cili, megjithëse është krejt i thjeshtë, përsëri dëshmon për shumëçka. Ishim në shtëpinë e mikut të tim eti, Qamil Çelës, një figurë e njohur politike e viteve 30 dhe më pas, mik i afërt i Fan Nolit, Sejfulla Malishovës, Gjergj Fishtës dhe Ali Këlmendit. Nuk ishte përkrahës i Enverit, megjithëse e kishte njohur atë që në rininë e hershme. Ish drejtori i Bibliotekës Kombëtare, kishte shumë vite që ishte tërhequr në shtëpizën e tij të vogël, diku në qendër të qytetit të Elbasanit të vjetër.Po jepeshin lajmet e orës 20 dhe tashmë nuk e di, rastësisht apo qëllimisht ishte vendosur ashtu, por spikeri tha befas "Vazhdojmë me lajmet e brendshme. Sot ne Prishtinë..." dhe vazhdoi lajmin.

     Njeriu i moshuar lëvizi befasisht nga vendi dhe tha me një zë të gjallëruar "Oh sa mirë, sa mirë! Lajmi nga Prishtina është në; lajm i brendshëm". Njerëzit ishin aq të përqëndruar sa shihnin edhe detaje të tilla dhe gëzoheshin njëkohsisht nga detaje të tilla. Qamil Çela ishte mik i dikurshëm i afërt i Bedri Pejës. Ai ndiqte, në një hartë të madhe të Kosovës, gjithshka që shkruhej në shtypin e kohës dhe shënonte mbi të, me shkrimin e tij të vogël e të rrumbullaktë, lëvizjet më të rëndësishme. Ishte një periudhë, kur, pa lënë mënjanë edhe ndikimin e shtetit, tek njerëzit e të gjitha shtresave, mori një hop zhvillimor ndjenja kombëtare shqiptare, ndjenjë e cila do të ripërsëritej edhe një herë në vitet e luftës çlirimtare në Kosovë. Nuk mund të mohoj se në fillimin e viteve 8o, më shumë se gjithshka, ishte vënë në lëvizje e gjithë makineria e shtetit, të gjitha strukturat e tij, dhe pavarësisht nga fakti , në se kjo bëhej për "patriotizëm demagogjik" apo ishte e konceptuar kështu (çka do e trajtojmë më tej), e gjithë kjo luajti një rol jashtëzakonisht të ndjeshëm në mentalitetin e kombit.

     Ndodhi edhe një fenomen tjetër, i cili, krahas doktrinës zyrtare apo qëndrimit zyrtar, kishte pjesën e tij të ndikimit, në jo pak raste, edhe më të fuqishëm se vetë shteti. Në pranverë - vjeshtën e vitit 1981 në dy anët e pjesëve shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, regjimet e kohës, jo pa paramendim dhe jo duke ia lënë në dorë kaotizmit dhe spontanitetit, gjithshka që ata menduan se ishte  më e vlefshme dhe më e pranueshme. Megjithatë, në dy anët, por në kahe të kundërta, kishte edhe reagime spontane, të cilat, ose nuk ishin menduar, ose ishin përllogaritur si diçka tjetër. Regjimi i Beogradit dhe i Prishtinës solli në skenën e re të thyerjes përgjithsisht figura të vjetra politike, të cilat, dashje ose pa dashje, kishin ende ndikim dhe mendohej se, fjala e tyre do të ishte përfundimtare. Njëri pas tjetrit, në mbledhjet e mëdha të diferencimit, filluan të dalin figurat e njohura të Fadil Hoxhës, Veli Devës, Xhavit Nimanit, Sinan Hasanit, një grup gazetarësh tek "Rilindja", për të shkuar deri tek figura groteske dhe njëkohsisht e përçuditshme e Kolë Shirokës. Ky ishte skalioni i parë, ose "arsenali i rëndë" i betejës së Beogradit përmes Prishtinës, ndërsa tek skalioni i dytë filloi të dukej nëpër mbledhjet e gjata, gjithëfarë sekretarësh, gjurmuesish, hetuesish, gjyqtarësh, për të shkuar deri tek thirrja patetike e një farë Dushan Ristiqi se "kurrëfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria". Thirja e tij, në të vërtetë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse pranim i disfatës dhe ankthi i së nesërmes.

     Këto figura politike, që u bënë zëdhënës të pushtetit të Beogradit, nuk kishin emër të mirë në Shqipëri. Me të drejtë ata pranoheshin, ashtu si ishin, zëdhënës të regjimit titist dhe shtypës të popullit të tyre. Duke parë se cilët po dënonin një kërkesë të drejtë, ishte e natyrshme të pasurohej mendimi se, të rinjtë e Kosovës, duheshin mbështetur. Në Tiranë ndodhi diçka tjetër. Figurat politike të kohës qëndruan në heshtje. Në fund të fundit, qoftë edhe pa nënshkrim, kishte folur i pari i tyre, dhe njerëzit e kishin ditur se kush qëndronte pas shkrimeve të gjata në "Zerin e Popullit". Zakonisht, kur fliste i pari i tyre, të tjerët heshtnin. Hysni Kapo kishte dy vite që kishte vdekur. Disa muaj më pas Mehmet Shehut do i nxirrte koka tym dhe do të përfundonte në një (vet)vrasje, ende e pambyllur. Sidoqoftë, si ka pohuar shumë vite më pas Ramiz Alia, në Byronë Politike, njeriu më i ashpër kundër serbëve, ishte vetë Enver Hoxha. Jo rradhë, shfyerja ose dyshimi i tij, me gjithshka që lidhej me Beogradin, ishte deri në patalogjike. Pas besimit të madh që ai kishte pasur ndaj tyre, sidomos deri në tetorin e vitit 1946, kur ata kishin dashur zëvendësimin e tij me vllaho-maqedonasin Xoxe, gjithshka që do të vinte më pas do të lidhej me dyshimin e tij.

     Shteti shqiptar, duke i bërë të heshtë drejtuesit e vet, të cilët për hir të së vërtetës nuk kishin as aftësitë e duhura për të folur , me përjashtimin e dy ose tre vetëve, hodhi në veprim, në se mund të thuhet kështu, ata që kishin një reputacion të gjerë në Kosovë, si mjeshtër të mendimit shkencor, si njerëz të shquar të pendës, figura mitike si Çabej apo Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostollari, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo,Luan Omari, Kadare, Agolli, Arapi, Pollo, Jorgaqi, Jakov Xoxe. Ndërsa nuk heshti polemika zyrtare nga ana e shtetit shqiptar, njëkohsisht angazhohet tërë fuqia intelektuale e vendit, në formë institucionale dhe individuale, që nga zyrat më të larta të shtetit dhe deri tek gazetat më periferike. Radiotelevizioni i Shqipërisë dhe gazeta "Zëri i Popullit" mbajtën barrën më të madhe. Përballë kryqëzatës serbe, e cila përgjithsisht dhe kryesisht ishte përqëndruar tek figurat politike në të gjashtë republikat dhe në dy krahinat e atëhershme, dolën autoritetet më të larta të mendimit dhe këto ishin shumë më të besueshëm se sa të gjithë politikanët në Prishtinë apo në Beograd. Ata ishin më të besuar jo vetëm në Shqipërinë londineze, por edhe në Kosovë.

     Është interesant parathënia e shkurtër e një libri për Kosovën, i cili doli më pas dhe që u nënshkrua, si rrall herë ose më sakt, si asnjë herë nga Aleks Buda, Alfred Uçi, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Dritero Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Luan Omari, Sofokli Lazri, Stefanaq Pollo, Zija Xholi, të gjithë autoritetet më të rëndësishme shkencore të kohës, parathënie në të cilën, mes të tjerave do të lexosh : "Shkrimet që përmban kjo përmbledhje "Çthonë dhe çkërkojnë kosovarët"e pasqyrojnë drejtë dramën kosovare. Ne nuk duam të flasim në emër të intelektualëve kosovarë. Ata dinë ta mbrojnë vetë kuazën e popullit të tyre, dinjitetin e përsonalitetin e tyre si njerëz dhe si intelektualë. Ata i përkasin një populli, që nuk kërkon mëshirë e lëmoshë. I përkasin një formimi kulturor historik, që i bën të jenë të papërkulur përpara dhunës, shtypjes e arbitraritetit. U përkasin atyre njerëzve, që në kohët e sotme luftojnë për aspiratat më të larta e më të ndritura të popujve, siç janë liria, barazia, demokracia e të drejtat e verteta njerëzore..."

     Nuk kishte ndodhur asnjëherë kjo, por nuk kishte ndodhur, po ashtu, asnjëherë, që njerëzit të mos i besonin korifejve të mendimit të tyre. Prandaj edhe gjithshka ishte shumë më e besuar, shumë më e prekshme dhe njerëzore. Kjo depërtoi tek njerëzit dhe nuk ka lidhje me qëllimet që mund të ketë pasur shteti shqiptar i asaj kohe. Janë pikërisht ngjarjet e vitit 1981 dhe ndjenjat që u ngjallën atëherë tek njerëzit e zakonshëm, të cilët sollën faktin e madh, që në demonstratat e para madhore të studentëve të dhjetorit 1990, të cilat ishin kundër regjimit dhe kundër sistemit, do të lartësoheshin portretet e Kadaresë dhe të Rexhep Qosjes, si bashkëudhëtarë të mendimit , e njëkohsisht edhe të qëndresës. Nga ana tjetër, do të ishte pikërisht qëndrimi i theksuar atdhetar i intelektualëve shqiptarë të Shqipërisë londineze, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë, që do u jepte zemër njerëzve, që kishin filluar një betejë për të fituar një luftë. Kjo do e bënte më pas, njërin ndër korifejtë e lëvizjes vazhduese ilegale, Afrim Zhitinë, që jo rastësisht të kishte si emër të luftës, pseudonimin "Ismaili" dhe nipit të tij ti vinte emërin Dritëro.

     Ky ishte reagimi i njerëzve të zakonshëm. Sot, duke paragjykuar gjithshka, mund të thuhen shumë gjëra të ndryshme. Unë e kam përjetuar intesivisht atë kohë, si qytetar dhe si gazetar, jam, si të thuash pjesë e dëshmisë që vjen nga poshtë. Në se dikush, veç fjalëve, do të mund të paraqiste fakte të vërteta historike, që hedhin poshtë mendimin tim, atëherë, unë do e rishikoja atë, por kam qenë pjesë e demonstrimeve spontane atdhetare të njerëzve të zakonshëm dhe të intelektualëve shqiptarë, për të cilët Kosova ishte një gjë e shenjtë. Jo rastësisht, në janarin e vitit 1991, e para organizatë atdhetare që krijohet në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë, ishte organizata "Kosova" dhe jo rastësisht unë u gjenda si njëri ndër themeluesit e saj.

     Megjithatë, e gjithë ajo që ka ndodhur në Shqipëri, për vetë kushtet e sistemit dhe centzralizimit, kishte lidhje me shtetin shqiptar. Nuk mund të përceptosh sot se mund të bëhej diçka, qoftë edhe e zakonshme dhe të dilte jashtë strukturave të ngritura, që shtriheshin nga selia e Komitetit Qendror dhe deri tek njësitë më të parëndësishme. Shteti shqiptar nuk mund të heshtëte para ngjarjeve të vitit 1981. "Përkrahja e shtetit shqiptar për protestat e popullit në Kosovë ishte pjesë e detyrës së tij. Nga kjo detyrë ai nuk mund të shmangej, përveçse duke vënë në dyshim zotimin e vet kombëtar. Ose duke deklaruar dobsinë e pafuqinë e tij"- do të nënvizojë studjuesi i njohur Shaban Sinani. Kjo është edhe e vërteta. Në se shteti shqiptar do të kishte heshtur, ai do të kishte humbur njëkohsisht edhe çfarëdo lloj vlere në vetë popullin e tij, kur për më shumë, nuk kishte qenë hera e parë, që shteti shqiptar, kishte hyrë në polemika të tilla me shtetin jugosllav. Megjithëse që nga viti 1974 vazhdonte një farë heshtje polemike, kishte pasur vite të tjera, të mëhershme, në të cilat shteti shqiptar ishte angazhuar me të gjithë potencialet e tij.

     Pra kjo nuk do të ndodhte për herë të parë.

     Si është vënë në dukje nga disa studjues, në vitet e fundit, jo pa qëllim, nganjëherë edhe nga vetë shkalla e njohjes apo e përjetimit, në letërsinë politike, është përhapur mendimi se shteti shqiptar i periudhës komuniste dhe vetë Enver Hoxha i shfrytëzuan ngjarjet tronditëse dhe të përgjakura të Kosovës " për të krijuar vlerat e një patriotizmi demagogjik ose të një patriotizmi të rremë". Ka të paktën dy arsye të rëndësishme për të besuar se e gjithë ajo që u ngrit dhe u bë gjatë vitit 1981 dhe më pas, nuk kishte qenë një patriotizëm i rremë. Së pari, është rasti të krahasohet përmbajtja e debateve publike të shtetit shqiptar, me pjesën e pashfaqur të kësaj polemike, e cila gjendet kryesisht në ditaret e Enver Hoxhës dhe në protokollet e mbledhjeve të byrosë politike. Nga ky krahasim del se udhëheqja e lartë e shtetit komunist, edhe në biseda të brendshme, si në mbledhjet e byrosë apo të sekretariatit të komitetit qendror, ka diskutuar me të njëjtat teza. Mund të besohet se kjo udhëheqje nuk ka dashur ti bëjë vetvetes edukatë patriotike apo të krijojë për veten patriotizëm demagogjik.

     Së dyti, pikërisht në këtë periudhë shteti shqiptar e merr shumë seriozisht konfliktin për Kosovën dhe ndërmerr veprime në fushën diplomatike. Kësaj periudhe i përket nisma e E.Hoxhës për të krijuar zbutjen e tensioneve me fqinjët jugorë, por edhe viziton Shqipërinë, njëra nga figurat më të njohura të politikës gjermane, Shtraus. Gjermania kishte të njëjtin problem si Shqipëria, ndarjen e saj, gjë e cila, megjithëse kishte ndodhur më vonë, shihej si një mundësi më e largët. Sidoqoftë politikanët gjermanë e kishin të domosdoshëm një precedent të tillë në Europë, pra një ndryshim të kufijve të pasluftës së dytë botërore, kjo do të ishte një lehtësi e rëndësishme për to, dhe askund tjetër nuk mund të krijohej një precedent i tillë, më lehtë se në rastin shqiptar.

     Unë nuk e di se si kanë rrjedhur punët në takimet e veçanta, qoftë edhe në dyshe apo treshe, në njësitë e larta të shtetit shqiptar. Nuk e di në se janë marrë vendime të fshehta dhe fakt është se, megjithë ndërrimet e pushtetit dhe të sistemit, çka ishin jetikë të ndërroheshin, ende nuk kanë dalur dokumente të tjerë, veç atyre që njiheshin që asaj kohe ose pak më vonë. Nuk e di në se atë që shfaqte në publik Enver Hoxha, dashurinë e tij për Kosovën, e kishte të sajisur apo të vertetë. Kam qenë rastësisht në një takim të tij me motrën e Xhafer Spahiut, antar i udhehëqjes së lartë të shtetit shqiptar, i cili, në mos gaboj, kishte prejardhjen e tij nga Gjakova. Edhe e motra e tij sapo kishte ardhur për vizitë tek ai. Me sa duket ata po shkonin ti uronin ditëlindjen Enver Hoxhës dhe u takuan në një mjedis ku ishin edhe disa gazetarë. Enverit i tha dikush se Xhafer Spahiu po vinte me motrën e tij, nga Kosova, të cilin kishte disa vite që nuk e kishte parë. Enveri i u afrua asaj, hapi krahët e mori mes tyre dhe i tha "Motra ime, po vdes pa e parë Kosovën". Gjithshka mund të kishte qenë shfaqje, por në fakt, kur deshëm ta botonim këtë fakt, nuk e lejuan, duke arsyetuar se kjo ishte diçka vetjake e jetës së udhëheqësit. Pra, unë i takoj atij grupi njerëzish që nuk mund të marr askënd në mbrojtje dhe as nuk mund të fajsoj dikë. Unë përpiqem ti sjell faktet ashtu si i kam përjetuar, pa bërë komentin e tyre, sepse, në raste të tilla, si janë ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, gjithshka do të ishte e tepërt.

     Megjithatë nuk është e tepërt të analizohet qëndrimi i shtetit shqiptar në këtë periudhë.

     Qëndrimi i Shqipërisë ka patur një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për vetë pjesëmarrësit në kryengritje. Mbështetja publike, e hapur e drejtëpërdrejtë dhe e vendosur e Shqipërisë kishte për to edhe kuptimin e gatishmërisë për të rrezikuar e për të shkuar edhe më tej. Në se Shqipëria do të heshtëte, thyerja e tyre do të ishte jashtëzakonisht e madhe. Në se Shqipëria do të kishte dalur kundër kërkesave të tyre atëherë do të kishim pasur një thyerje historike që vështirë se mund të ndreqej ndonjëherë. Për fat ndodhi e kundërta e asaj që ndoshta kishin menduar në Beograd. Ndodhi ajo që kishin pritur demonstruesit: përkrahja pa ekuivok nga ana e shtetit shqiptar dhe kjo, edhe në kushtet e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme, do të ishte një mundësi shumë më e madhe për të vazhduar më tej. Sidoqoftë shumë pyetje janë shtruar që atëherë, shumicën e të cilave e shtrova edhe unë në fillimin e këtyre shenimeve të cilat, e theksoj, kanë më shumë karakterin e njohjes sime vetjake, se sa synimin e një analize shkencore. 

     Le ti marrim disa prej tyre, qetësisht, pa dashur të përbaltim ose të heqim baltën që është hedhur. Le të kthehemi edhe një herë me mendje në vitin 1981 dhe duke e pasur të qartë se çfarë ndodhte në Kosovë, të nalizojmë atë që ndodhte në shtetin shqiptar. Sepse, duke qenë si dy enë kumunikative, duam apo nuk duam , deri në një ditë të pritshme, jemi ngërthyer nga fati i këtyre enëve. Që në ditët e para të pasngjarjeve të marsit të vitit 1981 është ngritur pyetja e cila bëhet edhe tash: Cili ka qenë roli i Shqipërisë në demonstratat: a ishin ato të përgatitura dhe të drejtuara nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij të fshehta apo gjithshka kishte ngjarë pa dijeninë e tij dhe shteti shqiptar ishte zënë në befasi? A ishin ato të mirëorganizuara nga shteti shqiptar, qoftë edhe për të spostuar vemendjen nga problemet që po i rriteshin apo shteti shqiptar kërkonte të shpejtonte ritmet e ngjarjeve që mund të vinin? A kishte dijeni drejtuesi i atëhershëm i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, apo gjithshka e kishin bërë ndihmësit e tij, pa e vënë atë në dijeni?

     Strukturat drejtuese, shtetërore dhe partiake të kohës, në Kosovë dhe në Jugosllavi, pa përjashtim në të gjitha republikat dhe në krahinën e ahershme të Vojvodinës, pas vetëm pak ditë heshtje, u sulën kundër Shqipërisë, duke e akuzuar atë, se, pas gjithshkaje që kishte ndodhur, ishte dora e saj dhe e sigurimit të shtetit shqiptar. Akuzat ishin në kor të përbashkët, pa u dalluar nga shqiptimi, në se ishin sllovenë, kroatë, boshnjakë, malazezë, por duke e ditur mirë se kur ishin serbë apo maqedonas. Çuditërisht, nga të njëjtat grupacione në Kosovë, pa thellësisht titistë dhe udbashë, ngrihet edhe në ditët e sotme, megjithëse më sofistikuar e jo si njëzetegjashtë vite më parë, në mbledhjet e turpshme, famëzeza të diferencimit. Nuk është për tu çuditur se ndodh një gjë e tillë: akuzuesi kryesor i ngjarjeve të marsit 1981 dhe përfituesi më i madh i tyre, Azem Vllasi, qe rikthyer sërish në zyrat e vjetra, tashmë si këshilltar i kryeministrit, krejtësisht ndryshe nga sa mund të ishte menduar, zotit Kosumi.

     Duhet besuar dhe është për tu besuar, se, shteti shqiptar, i cili i kushtonte një vemendje të veçantë vëzhgimit dhe ngritjes së strukturave të kundërzbulimit, kudo që e shihte të nevojshme dhe, duhet pranuar se këtë e bënte mjeshtërisht, nuk do të rrinte dorëjashtë nga shtrirja e tij në Jugosllavi e sidomos në Kosovë. Mund të mendohet se këtu e kishte edhe më të lehtë, pasi njerëzit ishin shqiptarë, që e donin deri në dhimbje Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, që e kishin pasur ëndërrën e bashkimit dhe jetës së përbashkët e që do të kishin vepruar njëlloj edhe sikur në Shqipëri të vazhdonte të qeveriste monarkia e Zogut.

     Është e besueshme se në Kosovë ka pasur njerëz që kanë punuar për shtetin shqiptar, ashtu si në Shqipëri nuk kanë qenë të paktë ata që kanë punuar për shërbimet sekrete jugosllave. Por është një dallim rrënjësor mes tyre dhe bashkëpunëtorëve të UDB’së, qofshin këto të fundit në Kosovë apo në Shqipëri, bile, mund të them se nuk kishte asnjë lloj krahasimi mes tyre. Ata, që kishin pranuar të punonin për shtetin shqiptar, nuk e bënin këtë sepse donin grada apo tituj,  se ishin nevojtarë dhe kishin hallin e bukës së gojës apo të një jete në luks. Ata kishin ëndërrime e synime të tjera, lidhja e tyre , qoftë organizative apo strukturore me shtetin shqiptar, ishte preludi i asaj që mendohej se do të vinte, bashkimi i trojeve dhe për këtë ata kishin sakrifikuar e do të sakrifikonin gjithshka.

     Në të kundërtën e tyre, udbashët, dyfish të shitur, si bashkëpunëtorë të sigurimit që kishte robëruar vendin e tyre dhe në dëm të interesave jetike të Kosovës, janë faqja më e errët dhe më makabre e historisë së Kosovës në 50 vitet e fundit. Asnjëherë, në asnjë kohë, Kosova nuk ka pasur kësoj lloj mostrash të përbindshme, të cilët, dy herë të kuq dhe dy herë të zinj, titistë si ideologji dhe udbashe si profesion, janë turpi i çdo vendi. Çuditërisht e jo çuditërisht, këto njerëz, edhe atëherë, edhe sot, kanë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të vitit 1981. Tani që kanë kaluar 26 vite mund të them me bindje se shteti shqiptar është zënë në befasi nga ngjarjet e vitit 1981. Ai nuk e ka pritur këtë, qoftë edhe për shkak të rrethanave, disi të veçanta që ishin krijuar në parangjarjet e demonstratave  të marsit.

     Ishte një periudhë disi zbutjeje në marëdhëniet mes dy shteteve. Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar sikur e kishin pranuar luftën e heshtur me regjimin titist se, kush do të influenconte më shumë tek njëri tjetri, përmes shkëmbimesh kulturore e njerëzore, kontakteve, vëzhgimit të drejtëpërdrejtë etj. Që nga ndërprerja e marëdhenieve mes dy shteteve, nuk kishte ndodhur asnjëherë një gjë e tillë, dhe nga shndërrimet që po ndodhnin, marramendshëm shpejt, të dy regjimet, sikur kishin vënë në lojë atë që do të ndodhte në të ardhmen. Afërsia po bëhej gjithnjë e më e ndjeshme, kontaktet po bëheshin të zakonshme, njësimi i gjuhës shqipe dhe pranimi i teksteve të shtetit shqiptar në programet mësimore të Kosovës (duke hequr vetëm citimet politike), po bëheshin dukuri e natyrshme.  Në këto kushte, si duket, shteti shqiptar nuk e kishte të menduar se mund të ndodhte diçka e tillë në Kosovë, si do të ishin demonstratat e vitit 1981.

     Regjimi titist kishte qenë i bindur se nga kontaktet do të rritej ndikimi i tyre, qoftë edhe për shkak se në Shqipëri, krahas të merituarve, u dërguan, nën gjithëfarë petku, edhe bashkëpunëtorët e fshehtë të sigurimit serb. Shkrimtari Mehmet Kraja, në librin e tij " Vite të humbura", duke treguar për pasudhëtimin e tij të parë në Shqipëri, sëbashku edhe me dy kolegë të "Rilindjes", dëshmon edhe për faktin se bashkëudhtarët e tij gazetarë, në zyrat e Prishtinës, po grindeshin me njëri tjetrin se, kujt i takonte " nderi" të bënte informacionin për UDB’në. Ndryshe nga sa ishte pritur në Beograd apo në Prishtinë, mes dy përpjekjeve, ishte e natyrshme që influenca e shtetit shqiptar, të ishte më e madhe. Duhet pranuar se në këtë kohë, në Shqipëri, niveli arsimor, kulturor, i botimeve, i rrjeteve të informimit, universiteti dhe institutet, njerëzit përgjithsisht, ishin më të ngritur. Ndjenja për Kosovën ishin në zenitin e saj. Nga ana tjetër, ata që vinin nga Kosova në Shqipëri, kishin marrë me vete, në rradhë të parë, mallin dhe nuk mund të pranonin aq lehtë, kundërshtitë që dukeshin. Ishte një kohë, kur po bëhej e zakonshme të udhëtoje për në Prishtinë dhe të takoheshe me shokët e të njohurit, ishte e zakonshme që libri shqip të ishte i njëjtë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Shteti shqiptar,  në këtë kohë, mendonte se duhej pritur, se nuk duhej ngutur dhe se, ngutja pikërisht në këtë kohë, mund të sillte djegjen e etapave. Mirëpo ndodhi e kundërta, ajo solli shpejtimin e proçeseve.

     Udhëheqja e shtetit shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë, sidomos pas vdekjes së Titos. Dhjetë vite më parë se të ndodhte shpartallimi i përgjakshëm i saj, një gjë e tillë kishte parashikuar në librin e Enver Hoxhës për vetadministrimin. Dhe kjo jo vetëm që ishte shkruar, por edhe ishte besuar. Jo vetëm për drejtuesit e lartë, por edhe për njerëzit e zakonshëm. Ndaj, duke pritur këtë rënie, shteti shqiptar, mendonte se duhej pritur një kohë tjetër. Në atë kohë, në aparatin drejtues të komitetit qendror, sidomos në drejtorinë për Kosovën - sepse ka ekzistuar një drejtori e tillë e veçantë, e cila kishte zakonisht si drejtues të saj një antar të Komitetit Qendror, si psh Mehmet Karakushi, nga familja e njohur e Karakushëve të Kukësit - ka qenë mendimi se përshpejtimi i proçeseve, ndërsa ende nuk ka filluar shprishja jugosllave, do të kishte edhe reprezalje masive.

     Në shtatorin e vitit 1982, në takimin me Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij të detyruar, unë e kam pyetur edhe për ngjarjet e marsit të vitit 1981. Megjithëse natyra e tij, jo rrallë, është sfinksore, përgjigjja ishte e besueshme. Zoti Alia, i cili, në vitin 1981 ishte sekretar i KQ për propogandën dhe njëri ndër autoritetet më të besueshme të Enver Hoxhës, sigurisht që do të ishte fare mirë në rrjedhën e ngjarjeve. Asaj kohe ai ishte njeriu nr.3 i shtetit, pas vdekjes dy vite më parë të Hysni Kapos. Alia më tha se shteti shqiptar nuk i kishte pritur këto ngjarje, sepse në planet afatgjata të shtetit dhe të partisë  kishte prognoza të tjera, ishte menduar për një ecje ndryshe, duke mbështetur njëkohsisht lëvizjet që mund të ndodhnin.

     - Së pari, kjo vonesë nuk është aq sa bëhet dhe, së dyti, udhëheqja shqiptare u ndodh e befasuar. Por, kjo nuk ka lidhje me atë që më pas, gamibisht është quajtur si vonesë e qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar. Që shteti shqiptar dhe strukturat e tij u zunë krejt papritur, dëshmon edhe mungesa e plotë e informacionit që kishte në ditët e para. Nuk dihej se kush ishte organizatori dhe cilat ishin qëllimet themelore, nuk dihej në se ishte një lëvizje spontane, sporadike apo gjithshka ishte e organizuar, në se kishte në thelbin e saj kërkesa të zakonshme jetësore apo ishte një lëvizje politike, e fshehur përkohsisht pas anëve sociale. Për reagimin e vonuar të shtetit shqiptar është polemizuar shpesh, sidomos pas vitit 1990. Ka qenë reagim i vonuar apo në kohën e duhur, pra kur është dashur të bëhet një reagim i tillë? Ka qenë një reagim i cili kishte në thelbin e vet qëndrimin kombëtar të shtetit shqiptar , apo gjithshka ishte fasadë patriotike? Është një moment kur qëndrimi kombëtar ndahet përfundimisht nga qëndrimi ideologjik, apo kishte një përputhje mes tyre dhe vazhdim të njëri tjetrit?

     Demonstratat e vitit 1981, sido që të arsyetohet sot, e gjetën shtetin shqiptar me një qëndrim kombëtar të përcaktuar dhe të afishuar. E vërteta është se fillimi i demontsrtave ka datën e 11 marsit 1981, ndërsa qëndrimi i parë i afishuar i shtetit shqiptar është i datës 8 prill 1981. Ka një diferencë rreth një mujore mes tyre dhe gjatë kësaj kohe, tashmë, për shtetin shqiptar, ishte gjithshka e qartësuar. Ka pasur thënie se "shteti shqiptar heshti në fillim, pasi nuk e dinte saktësisht se cilët ishin pas këtyre demonstratave, forcat ilegale të majta apo forcat e dikurshme të djathta", është thënë se " dyshimi se e gjithë kjo kishte ndodhur ishte nën organizimin e " pjesëve të ballit" apo të "Lidhjes së Dytë të Prizrenit" dhe meqënëse këto forca nuk kishin lidhje me shtetin shqiptar, fillimisht është heshtur". Dyshimi ka shkuar edhe më tej, duke hedhur mendimin  se sikur e gjithë kjo të ishte bërë nga nacionalistët shqiptarë, shteti shqiptar nuk do i kishte përkrahur, pasi , për qeverinë e Tiranës, në rradhë të parë ishin parimet ose prirjet ideologjike.

     Mendoj se është krejtësisht ndryshe. Së pari, shteti shqiptar kishte lidhje me forcat, e ashtuquajtura nacionaliste të shqiptarëve në Kosovë. Dem Ali Pozhari ishte njeriu që ishte ftuar përsonalisht në shtetin shqiptar dhe ishte pritur nga Enver Hoxha, me një organizim të posaçëm dhe publicitet të rrjedhshëm. Nga ana tjetër, ekzistojnë ende shënimet e Enver Hoxhës, si letër porosi, për forcat ilegale të majta të Kosovës, brenda vendit ose në diasporë, mes të cilave , jep mendimin për një bashkëpunim të ngushtë me Ballin Kombëtar të Kosovës, i cili, sipas shënimeve, ishte patriot dhe krejt ndryshe nga Balli Kombëtar në Shqipëri, i cili kishte kolaboracionist. Një dallim i tillë, i bërë haptas, sjell mendimin se parësore në afishimin e qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk ka qenë se kush i organizoi, por çfarë ishte thelbi i tyre.

     Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 kishin, në shumicën e tyre dërmuese, kërkesa të karakterit social. Prandaj ata edhe u injoruan nga shteti federativ, u minimizuan. Duhej të vinte dita e 26 marsit, dy javë më pas, që gjithshka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë. Me 26 mars, kërkesat sociale kaluan në rradhën e tretë, u hodh haptas kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 dhe të 2 prillit, do të ishin boshti dhe themeli i vertetë i ngjarjeve të pranverës së vitit 1981. Këto kërkesa do i përkrahte fuqimisht edhe shteti shqiptar. Nga 26 marsi dhe deri me 8 prill, do të ishin në mes vetëm 12 ditë, kohë jo e madhe për të afishuar qëndrimin e hapur të një shteti, jo përmes një deklarate politike të një zëdhënësi të ministrisë së punëve të jashtme, por përmes drejtuesit të atëhershëm të shtetit shqiptar. Themelore është se shteti shqiptar nuk kishte hezitime në qëndrimin që do të mbante. Kjo ishte parësore. Po ashtu parësore ishte se ky qëndrim i shtetit shqiptar ishte në përputhje të plotë me qëndrimin e shtetasve të tij. Momenti i afishimit, që kur kërkesat sociale në Kosovë u bënë kërkesa politike dhe deri tek publikimi me 8 prill i qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është një vonesë aq sa bëhet dhe aq sa dëshirohet të bëhet. Parësore, ajo që mund të shihet edhe pas 26 viteve, është në qëndrimin që u mbajt, në se ishte një qëndrim i drejtë, kombëtar, apo ishte në të kundërtën e asaj që po ndodhte në Kosovë.

     Strukturat diferencuese në Kosovë, në reagimet e tyre të para, duke mbajtur vesh nga qëndrimi i Shqipërisë, nuk u ngutën të sulmojnë, pasi, për to, do të kishte qenë shumë e leverdishme, në se shteti shqiptar do të kishte heshtur. Kjo do u thonte demonstruesve dhe sidomos të burgosurve politikë se ishin të vetmuar. Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar u bë i njohur me 8 prill 1981, përmes artikullit të gjatë "Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?" (Zëri i Popullit, 08 prill 1981).

     Cilat ishin disa nga thelbet e këtij qëndrimi, kundër të cilave, me një furi të pabesueshme, u vërsulën të gjitha strukturat partiake dhe qeverisëse jugosllave, mes të cilave edhe shumë nga vasalët e tyre shqiptarë? A përbënin ata thelbin e asaj që kishte ndodhur dhe publikisht, a  bënin të njohur, se e përkdhelura jugosllave kishte fshehur nën mantelin e jetës të përmirsuar, të vërteta të mjerueshme që kishin pas vetes, çka u dëshmua më pas, gjakimin e të gjithë popujve që përbënin atë?

     Ndoshta do të ishte e vlefshme nëse do riktheheshim në disa nga qëndrimet e shfaqura në 8 prill 1981.

     - "Por, pavarësisht nga ç'thuhet e ç'shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to nuk mund të mbulohen me frazeologjira të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshmëm e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje".

     - "Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon, brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t'i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ç'krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s'bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan. Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të Jugosllavisë nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishin krahinat ku ata banonin. Persona të tjerë kanë vendosur për ta".

     - "Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Pretendimi i shtypit jugosllva vërteton të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ky pretendim, gjithashtu, të le të kuptosh, se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t'i kish grirë njerëzit me mitraloza. Këto gjëra nuk harrohen kollaj. Ato nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin".

     Afishimi i qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar, edhe pse më pas është quajtur i vonuar, mendoj se ka qenë në kohën e duhur dhe po ashtu, edhe në nivelin e duhur. Edhe sot, këtij qëndrimi nuk mund ti shtohet asgjë dhe ti hiqet asgjë. Edhe në se ka qenë vetëm një perde patriotike, gjë që nuk është e saktë, një qëndrim i tillë ishte i mirëpritur në tërë skenën politike ilegale të Kosovës dhe tek të gjithë njerëzit e thjeshtë. Po të kishte ndodhur e kundërta, në se shteti shqiptar do të kishte mbështetur dhunën policore, tanket dhe reprezaljet në Kosovë, ose në se do të kishte heshtur, kjo do të përbënte njërën ndër thyerjet më të mëdha të kombit. Fakti është se në vitin 1981, i gjithë arsenali i propogandës titiste e udbashe synoi pikërisht në thyerjen e asaj që ekzistonte mes shqiptarëve, pavaresisht kufijve të vendosur, në ndërtimin e një miti të rremë për shqiptarët "ndryshe" që ishin në Kosovë, ashtu si kishin bërë deri atëherë mekanizmat serbë, në ndarjen e shqiptarëve në " të ndershëm" dhe rebelë.

     Pas afishimit të qëndrimit të shtetit shqiptar, në Kosovë, pa mëdyshje, kemi dy tabllo të ndryshme. Nga njëra anë është ndjenja e madhe e lehtësimit dhe e ripërtëritjes që përshkoi demonstruesit, sidomos të burgosurit politikë, nga ana tjetër egërsinë e mekanizmave shtetërorë. I gjithë ky mekanizëm i stërmadh titist, në gjashtë republika dhe në dy krahina, u vue në lëvizje. Nuk duhet harruar se ky mekaniziëm kishte aso kohe, mbështetje jo të paktë. Jugosllavia e pastitos, ndonëse e çaluar, ende kishte një vello, që kur do i hiqej plotësisht, do të dilte gjakimi që do të ndodhte. Asnjë krijesë e sajuar shtetesh dhe e mbështetur aq verbërisht, nuk do të kishte një fund aq të përgjakshëm, si Jugosllavia e Titos. "Plaku", si i thonin asaj kohe, kishte mbajtur vendin nën vete, por, ndërkohë, nacionalizmat, kishin mprehur thikat. Shqiptarët nuk do të duhej të bëheshin kurban i këtij gjakimi, në fillimin e gjithshkaje për to ishte e rëndësishme të dihej se, edhe në një moment të vështirë të ardhshëm, do të kishin një mbështetje nga shteti shqiptar.

     Është e qartë pse u sulën kundër Shqipërisë gjitëfarë robinjsh sllavë, por më e çuditshme ishte se nuk mbetën pas tyre edhe çakejtë shqipfolës. Dushan Ristiq thërriste se kurrëfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria dhe kjo është edhe faza , kur për të disatën herë ngrijnë marëdheniet mes dy shteteve, por njerëzit, besoj se nuk i kanë harruar edhe Kolë Shirokën, Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën, që, si përmjerrur, bridhnin nëpër sallat famëzeza të diferencimit. Pikërisht në atë kohë filloi të merrte "hov" edhe njëri nga pinjollët më të paskrupullt të titizmit dhe të diferencimit, Azem Vllasi, kariera e të cilit, si rradhë herë, u ngrit mbi gjakun që ishte derdhur në pranverën e vitit 1981, dhe, po ashtu, si rradhë herë, edhe pas 25 vitesh, mbetet në të njëjtën pozitë mjerane dhe diferencuese. Deri në atë kohë, në shtypin e shtetit shqiptar, ishte bërë kujdes me emrat e politikanëve shqiptarë të Kosovës. Ata, ose nuk përmendeshin ose, përgjithsisht, përmendeshin pa asnjë kontekst, negativ ose pozitiv. Mendohej, në rrethe të ngushta gazetarësh , se kjo vjen nga një lloj nostalgjie e Enver Hoxhës, pasi ata ishin nisur nga vetë ai për të organizuar luftën në Kosovë dhe për të bërë Konferencën e Bujanit, nostalgji, që po ashtu nuk ishte edhe shumë e justifikueshme, në se mund të mendoje njëkohsisht edhe për ngjarje të tjera. Por, kur filloi debati i madh, kjo tabu u thye dhe, për herë të parë, u bë publike shprehja " një qen serb me emërin Sinan Hasani".

     Për implikimin e drejtëpërdrejtë të shtetit shqiptar në ngjarjet e marsit, edhe pas 26 vitesh, nuk është sjellë ndonjë provë konkrete. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka  pasur implikim indirekt, përmes një mijë e një gjërave të tjera, si propogandës që bëhej posaçërisht për Kosovën, nëpërmjet radistacioneve dhe TV Shqiptar, dërgimit të librave, kontakteve me njerëz  të ndryshëm. Mirëpo këto nuk përbëjnë fakt dhe nuk janë forcë madhore për të organizuar ngjarjet e pranverës së vitit 1981.

     Muajt që kalonin, natyrisht duke mos i lënë asgjë spontanitetit, e bënë edhe më të qartë qëndrimin e shtetit shqiptar. Me 23 prill, përsëri në "Zërin e Popullit" dhe përmes RTSH, u bë publik artikulli "Kush e nxit armiqsinë midis popujve të Jugosllavisë". Ishte një përshkallzim i mëtejshëm i qëndrimit të shtetit shqiptar dhe përsëri, kushdo e kishte të qartë se në të ishte , në mos në të gjithin, në thelbin e artikullit, dora e Enver Hoxhës.

     Çfarë kishte të re në këtë qëndrim të afishuar për herë të dytë?

     Le të shkëputim dy nga pasazhet më thelbësorë:

     - "Udhëheqësit jugosllavë, që nga më i madhi deri te më i vogli, pretendojnë se në vendin e tyre për të gjitha kombet dhe kombësitë ekziston "barazia në të drejta politike dhe ekonomike", eziston "bashkim - vëllazërimi". Po si mund të besohen ata, kur një republikë apo një krahinë trajtohet si "djali i nënës" dhe krahina tjetër si i njerkës, kur një "vëlla" ha me lugë të artë, kurse tjetri me lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as "bashkim", as "vëllazërim".

     - "Dolanci, në intervistën që përmendëm, tha se në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta. Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket, s'patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav. Por këto më mirë i di vetë populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh. Ai e di, gjithashtu, pse u derdh ky gjak dhe kush e bëri këtë gjëmë".

     - "Në rast se në demonstrata ishin pak njerëz, atëherë pse Beogradi dërgoi ushtrinë, milicinë e kryeqytetit, tanket dhe avionët? Përse u vranë dhe u plagosën me armë zjarri aq njerëz dhe përse u vendos shtetrrethimi? Për një "grusht të vogël armiqsh", për 10-15 veta që u quajtën nga udhëheqja jugosllave "reaksionarë, shovinistë, e irredentistë"? Vallë për një kokërr limoni prishet dasma, ajo "dasmë", për të cilën tani nga të katër anët e Jugosllavisë vërshojnë si ujët e Danubit, të Savës dhe të Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër "shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë", dhe plot himne ditirambike për "unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë"? Me të tilla truke nuk është e lehtë të gënjehet një popull trim e i pjekur, siç është populli shqiptar që jeton në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë, të gënjehen punëtorët, fshatarët, studentët dhe intelegjencia e ndershme, të cilët janë të ndërgjegjshëm për jetën dhe fatin e kombit të tyre.

     Kush e ndjell dhe e nxit pra armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i "Zërit të Popullit", apo kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës?". Artikulli i 8 prillit 1981, që ishte edhe shfaqja e parë e qëndrimit politik dhe kombëtar i shtetit shqiptar, ishte pritur pa dyshim me një ankth të madh nga demonstruesit, dhe secila ditë që kalonte, e shtonte ankthin e pritjes së tyre. Demonstruesit e kishin të qartë dhe e kishin pritur se nga shovinizmi serbomadh dhe pasuesit e tyre në Kosovë do të quheshin, ashtu si u quajtën, "shovinistë, irredentistë, reaksionarë, shqiptaromëdhenj, prishës të bashkim - vllaznimit" etj etj. Heshtja disa ditëshe e shtetit shqiptar i kishte vënë ata në një dyshimtjetër: mos vallë kishin gabuar dhe nuk do e kishin këtë mbështetje, të cilën edhe e pritnin.Thyerja e heshtjes dhe qëndrimi i shtetit amë kishte sjellë qetësinë e pritur të shpirtit të tyre, por njëkohsisht, edhe arrogancën dhe thelbin nacionalist serbomadh. Për shtetin jugosllav dhe sidomos atë serb, qëndrimi i shtetit shqiptar, ashtu si po ndodhte dhe afishimi i gjendjes së vertetë në Kosovë, ishin shkaku themelor i ngirjes së marëdhënieve dypalëshe, gjë që ishte llogaritur edhe nga Shqipëria se mund të ndodhte dhe ishin marrë parasysh të gjitha pasojat e mundshme.

    Megjithate shteti shqiptar shkoi edhe më tej në afishimin e qëndrimit të tij. Ndoshta ishte pritur se, në mos një ditë, një ditë tjetër, mendjet e arsyeshme të politikës jugosllave, në se do të kishte të tilla, do të kuptonin të vertetën se përmes gjakut dhe vrasjeve nuk mund të qetësohej gjendja në Kosovë. Kishte qenë një pritje e kotë, ashtu si do të ishte edhe më vonë. Duke mos e marrë vetë rolin e primarit, strukturat e larta të shtetit, organizuan afishimin dhe mbështetjen e mendimit intelektual shqiptar, në të gjitha organet dhe ne të gjitha strukturat e mundshme. Qëlimi i kësaj fushate nuk ishte thjeshtë mbështetja e qendresës që po ndodhte në Kosovë, por edhe dëshmimi historik , moral dhe kushtetues i së drejtës së shqiptarëve në Jugosllavi për të patur Republikën e tyre, si kërkesë themelore e demonstruesve. Është mëkat i madh dhe faj i jashtëzakonshëm historik ,që klasa politike në Kosovë, me përjashtime të rradha, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, nuk u ngrit, të paktën në nivelin kombëtar të demonstruesve të thjeshtë, por u kthye në pinjollë, herë pas here të neveritshëm, të mbështetjes së masave të jashtëzakonshme dhe dhunës policore që ushtronte Beogradi mbi popullin e tyre. Ishte dhe vazhdon të mbetet njolla më e madhe politike e kësaj klase, e cila, jashtëzakonisht paarsyeshëm, vazhdoi rrugën e diferencimit masiv mes popullit, krijoi mitin e rremë të "demonstratave armiqsore", thirri në ndihmë ushtrinë dhe policinë serbe dhe lejoi, që, edhe një herë, të gjakosej populli i Kosovës. Mjerisht, në asnjë tubim publik, kjo klasë politike, nuk mbështeti haptas kërkesën për republikën e Kosovës.

     Atëherë kjo detyrë, që ishte edhe imperativ i kohës, u mor përsipër nga shteti shqiptar, i cili afishoi hapur se "Kërkesa për t'i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë ("Zëri i Popullit", 17 maj 1981)

     Çfarë ishte esenciale në afishimin e 17 majit të vitit 1981:

     "Kosova do të qetësohet po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t'u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhni drejtë problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova..." "Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Ky status përfaqëson aspiratën e një populli të madh që kërkon me të drejtë "statusin e sovranitetit" dhe jo atë të "pakicës kombëtare", që padrejtësisht i ka pasë qenë caktuar që në Jajcë". "Kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e republikës federale është e drejtë. Ajo këtë e ka marituar me luftën që ka bërë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër fashizmit. Shovenizmi serbomadh e ka gjakosur rëndë Kosovën dhe ka krijuar një situatë të tillë, që me espedientë zor se shërohet. "Për sa u përket atyre "udhëheqësve shqiptarë" që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre u karakterizuan nga një histeri sa e madhe, aq edhe servile e shërbyese ndaj zotërinjve të tyre Vidiç, Miniç, Stamboliç etj. Kuptohet se këta "udhëheqës" fantoshë i urren populli i Kosovës". "Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje "Shqipëri të vogël", ose "Shqipëri të madhe". Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie "të vogël" ose "të madhe", që përbëjnë një popull kompakt dhe që kanë të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e ndokujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t'i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtënatyrshme, e quani "shqiptaromadhe", "nacionaliste", deri dhe "fashiste". Kur Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës, për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e t'i ngjitni plot epitete të tilla".

     A ishte në dijeni Enver Hoxha për ngjarjet që po përgatiteshin në Kosovë në pranverën e vitit 1981? Dikujt mund ti duket absurde ngritja e një pyetje të tillë. Logjika e thjeshtë të çon tek mendimi se, për deri sa shteti shqiptar nuk ishte në dijeni, edhe ai, Enver Hoxha, që ishte numuri një, i padiskutueshëm i shtetit, nuk mund ta dinte. Në këtë rast, njësimi i dijenisë së shtetit dhe asaj që ka ditur Enver Hoxha, mund të jetë i vertetë, ashtu si edhe është e mundur që të ketë qenë ndryshe. A mund të ngrihet një tezë e tillë? Thënë të drejtën, deri para disa vitesh, edhe unë nuk e kisha menduar kurrë se mund të ngrija një tezë të tillë. Duke ditur sot, atë që nuk kemi ditur dje, pra mekanizmin e fshehtë të shtetit shqiptar, nganjëherë deri në strukturat më të panjohura, duke patur sot pjesë të arshivave që kanë qenë rreptësisht të mbyllura, edhe mund të mendohet se, ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, ai mund të ketë qenë i përgatitur ose , më saktë, ka qenë në pritjen e asaj që mund të ndodhte, pa e ditur saktësisht se kur. Në shtetin shqiptar kishte struktura të fuqishme të sigurimit të shtetit dhe sidomos të atyre segmentëve që merreshin me survejimin e shteteve, të cilat quheshin, konsideroheshin dhe jo rrallë ishin, edhe armiq të kombit shqiptar.

     Krahas strukturave të ditura, të njohura, qoftë për publikun, qoftë për kundërzbulimin, ka pasur edhe një strukturë tjetër, e cila varej, në rastet më të shumta, direkt dhe nga askush tjetër, veç Enver Hoxhës, dhe e cila, më shumë se gjithshka, kishte lidhje me zbulimin e jashtëm. Nuk janë të pakta rastet, që janë bërë të ditur më vonë, kur vetë Enver Hoxha ka drejtuar lidhje të posaçme, ka pasur marëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatë, gazetarë, specialistë, biznesmenë të huaj, disa prej të cilëve, i kanë sjellë atij informata nga më sekretet.

Është i njohur tashmë fakti se, mes shumë të tjerëve, shërbimi i ngritur dhe i kontrolluar nga E.Hoxha dhe grupi i veçantë pranë tij, kishte infiltuar edhe pranë CIA, duke pasur role të rëndësishme në operacionet që kryheshin në drejtim të Shqipërisë apo që lidheshin me ngjarjet në pjesët e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Njeriu i njohur në dosjet e Sigurimit të shtetit shqiptar si "Sali Dani" ishte njëkohsisht edhe njëri ndër funksionarët më të rëndësishëm të CIA-s. Nëpërmes tij shteti shqiptar, në mesin e viteve 70, kishte arritur të merrte gjithë rrjetin e agjentëve të UDB-së në Shqipëri, por edhe të Asfalisë greke dhe të shërbimit sekret italian. Do të ishte i njëjti agjent, i cili vendosi një lidhje mes EH dhe agjentit të shkallës së lartë, rusit Njekov, i arratisur nga BS, bashkëpunëtor i CIA dhe i disa shërbimeve të tjera,gazetar dhe botues në Romë. (Sipas librit "Mëkatarët" të Nafiz Bezhanit)

     Përse i solla këto pasazhe?

     Përmes lidhjeve të krijuara me botën agjenturore, lidhje të cilat, e përsëris, kanë qenë shumë të fuqishme , EH kishte një informacion, shpesh herë, më të gjërë se sa vetë strukturat zyrtare të shtetit. Jo rradhë, njohja ishte e veçantë vetëm për EH. Është krejt e mundshme, që pikërisht në kohët e para të pasvdekjes së Titos, EH të ketë marrë informacion të gjërë, jo vetëm për gjërat e zakonshme, por edhe shumë më tepër se kaq. Informacioni i tij, si duket, ka shkuar edhe më tej sferave të zakonshme, dhe lidhjet e tij, jo rrallë, kanë qenë shumë më të thella, se sa ato që mund të dukeshin. Struktura të tilla kishin lidhje me sfera të larta të shteteve të ndryshme, sidomos ballkanike dhe europatlantike, ata nuk hynin në veprim për gjëra të vogla dhe të zakonshme, por për aktivitete të një rëndësie të veçantë, si ishte rasti i gazetarit të njohur ruso-italian Njekov, i cili,çuditërisht, pas realizimit të disa misioneve që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me EH, u gjend misteriozisht i vrarë. EH i ruante këto struktura vetëm për linjën e tij, as ministri i punëve të brendshme shpesh herë nuk e dinte fillin e tyre dhe nuk kishte lidhje me to. Si duket, ishin pikërisht këto struktura që, duke përdorur lidhjet e dyfishta, në fillimin e vitit 1980, e lajmëruan EH se gjendja në Kosovë, megjithëse dukej e qetë, nuk ishte ashtu, veçse në sipërfaqe. Ata e lajmëruan po ashtu se, megjithë heshtjen që zotëronte, shteti jugsllav dhe sidomos nacionalizmi serb po përgatitej të lante përfundimisht hesapet me kombet e tjerë në ish Jugosllavi dhe se Kosova do të  ishte kurbani i parë i madh i kësaj bëme. Ishin të gjitha shenjat se miti i Rankoviqit kërkonte të zgjohej dhe këtë, jo rradhë, e kishin vërejtur edhe republikat e tjera jugosllave, sidomos kroatët dhe sllovenët, të cilët, përmes lidhjeve të tjera, kishin lajmëruar për rrezikun që mund ti vinte. kroatëve apo sllovenëve nuk do u vinte aspak keq sikur i gjithë tërbimi nacionalserb të shkonte drejt shqiptarëve, ata kishin filluar nxitjen e këtioj tërbimi, duke menduar se kështu githshka do të rrokullisej drejt viseve shqipfolëse. Sidoqoftë unë mendoj , se edhe në se i ka ditur ngjarjet që mund të vinin, ai nuk ka bërë asgjë për ti shpejtuar dhe për ti shmangur ngjarjet e marsit 1981. Të paktën nuk ka bërë asgjë të dukshme, sepse, për atë, që për shumë vite ishte e padukshme, ai filloi të bënte.

 

PLANI SEKRET ”SHPËRTHIMI”

 

     Fjala është për planin sekret "Shpërthimi", i cili përfshinte në vete një seri operacionesh, në rast të një lufte për Kosovën dhe në Kosovë. Ky plan , që ka qenë tejet sekret dhe për të cilin kanë ditur fare pak vetë, është pëshpëritur për herë të parë, nga agjensitë e huaja, menjëherë pas ngjarjeve të marsit, pastaj është heshtur për shumë vite dhe është zgjuar, i detajuar, në kohët e fundit. "Zgjimin" e tij e bëri njëri ndër hartuesit kryesorë, ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Në një intervistë të gjatë të tij, për herë të parë, ai bëri të njohur origjinën e këtij plani sekret, hartuesit e tij, urdhërin e dhënë drejtpërsëdrejti nga EH, dhe seriozitetin me të cilin ishte marrë ai plan. Megjithëse sot gjithshka mund të quhet utopi dhe në fakt ka shumë gjëra që nuk do të mund të realizoheshin, ai përsëri ngre disa pika dyshimi.

     Së pari, përse E.H u kujtua për hartimin e këtij plani kaq sekret dhe kaq masiv në vitin 1980? Në realitet midis dy shteteve kishte pasur ngrirje të plota marëdheniesh, gjendje të jashtëzakonshme, ulërima, dërgim agjentësh, akte terrori në tokën shqiptare, një shkrirje të çastit në vitin 1956, pastaj përsëri akullim, kishte pasur masakra të rënda ndaj popullit shqiptar në Kosovë, dhe, megjithatë, asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një plan i tillë sekret, i cili, as më pak e as më shumë, planifikonte dërgimin e ushtrisë së shtetit shqiptar për çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi. Pra nuk kishte pasur asnjëherë asnjë plan të tillë e për më shumë, nuk kishte pasë asnjë tentim të tillë. Në vitin 1980 klima mes dy shteteve nuk paralajmëronte ngrirje, shteti shqiptar nuk kishte më asnjë aleat, ishin prishur marëdheniet me BS dhe me Kinën, pra ishte një Shqipëri, si kurrë ndonjëherë, krejt fillikat dhe për më tepër, një Shqipëri me një gjendje ekonomike, që gjithnjë e më shumë po vështërsohej. Megjithë këtë akullim në lidhjet me botën e jashtme, përsëri EH i garantonte hartuesit e planit sekret se Traktati i Varshavës, nga i cili Shqipëria kishte dalë në vitin 1968, nuk do të ndërhynte. Në këtë kohë ndodhën ngjarjet e marsit dhe kjo ishte edhe koha, kur për herë të parë, qoftë edhe teorikisht, shteti shqiptar, mendon dhe të ndërmarrë diçka, që në fakt, i binte ndesh të gjitha konventave ndërkombëtare. ´

     Si u bë hartimi i këtij plani sekret, me emërin e koduar "Shpërthimi"

Le të sjellim një pjesë nga intervista e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. 

     "Takimi në zyrën e Enverit„

     Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, ( se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si jua zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. ”Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri. ....... ....Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: ”Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?” Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak. Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri me një herë ndërhyri.”Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”. “Sepse, -vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, - këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan - Prishtinë - Ferizaj - Mitrovicë - Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, në Gjakovë - Pejë - Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd - Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec.” Kurse në drejtim të Maqedonisë, - vazhdova unë më tej - që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.

     Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Isha përgatitur t’i raportoja Enverit për çdo problem në strukturat e ushtrisë, por nuk e kisha menduar se thirrja ime urgjente në zyrën e tij së bashku me Mehmet Shehun do të kishte një tematikë tepër të rëndësishme, për mua, të papritur! Gjithsesi, nën efektin e “garancisë” që më afroi Enveri me shprehjen: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që forcat e Traktatit të Varshavës të mos ndërhyjnë, a mund të futemi e të çlirojmë Kosovën?”, duhej të bëja llogaritë shumë shpejt e të përgjigjesha. Të them të drejtën u shushata fare, se si ka mundësi kur ne shaheshim përditë me revizionistët e të gjitha vendeve të Lindjes e në mënyrë të veçantë me ata sovjetikë, si mund ta rregullonin këta këtë çështje luftarake kaq kapitale! Pa u menduar fare, por me një analizë të shpejtë që bëra të raportit të forcave e situatës luftarake në luftën e pritshme, i përgjigjem: “PO!”. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, e ndoshta, ky moment e kjo bisedë ka qenë i pari për mua të mësoj se ç’është politika, ku jo çdo gjë që thuhet e premtohet haptas, është e do të bëhet ashtu siç thuhet; përkundër, në të shumtën e rasteve, ndodhe kundërta!

     Pasi e pranova këtë version, megjithëse jo shumë bindës për mua, duke menduar se këta kërkojnë të më fusin në valle që të bëhet një plan i ndërhyrjes ushtarake për çlirimin Kosovës dhe pastaj shohim e bëjmë sipas situatave që mund të krijohen. Enveri më merr mendimin se sa kohë më duhen ta paraqes planin tek ai dhe Mehmeti për miratim. Unë ju përgjigja se kjo varet me sa persona do të punojnë për hartimin e tij. Ndërhyn Mehmeti: ”Do të punosh vetëm me një person dhe unë, (pra, Mehmeti, V. Ll.), do të jem në krye të këtij grupi pune”. Kërkova 30 ditë kohë. Enveri më thotë: ”Po të lëmë 45 ditë, por plani të jetë i argumentuar saktësisht e deri në çdo detaj nga ana ushtarake”. Marrja e detyrës u bë fakt i kryer, ishte një detyrë e vështirë, jo e lehtë, por thellë ndjeva një gëzim e kënaqësi të pa provuar. Meqenëse më lejohej të bashkëpunoja vetëm me një njeri, nuk ishte e lehtë të zgjidhja e për më tepër të vendosja vetë. Kërkova se a kishin ata ndonjë mendim se me cilin do të punoja unë. Enveri më thotë: ”Zgjidhe vetë!” Propozova nja tre persona, ndër kuadrot më të lartë e më të përgatitur ushtarakë të vendit. Pasi dëgjojnë, Mehmeti i thotë Enverit: ”Do të punojë vetëm me Maliq Sadushin që është zëvendësministër i Mbrojtjes, është i aftë, konspirativ, ka mbaruar akademinë ushtarake “Frunze”, ndërsa unë do të jem në krye të këtij grupi!”. Mehmeti i kishte idhuj të gjithë ata ushtarakë që kishin mbaruar akademitë ushtarake “Frunze” dhe “Vorshillov”, por Maliqi qe i përzgjedhuri i tij, edhe për faktin se ka qenë partizan i Brigadës 5 Sulmuese në çlirimin e Kosovës dhe e njihte shumë mirë terrenin, garanci kjo e domosdoshme për një planëzim e zbatim të saktë të planit luftarak. Për mua, ishte një kënaqësi tepër e veçantë se do të punoja me Maliqin për hartimin planit për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për faktin se ishim shokë, kolegë, njiheshim mirë, si dhe ishte profesionalisht tepër i aftë.

 

Fillimi i punës për përgatitjen e planit

 

     Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyra do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera. Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne. Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehun vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoj detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t’i jepte ai. Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj. Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi. Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: “Unë kaq munda t’u jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë”.

     Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër. Për këtë Mehmeti shtoi: “Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!”. Më pas shtoi: ”Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!”. Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra. Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Mbasi ju kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare (Mali i Zi - Kosovë - Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja. Ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri. Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm. Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur “Shpërthimi”, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse.

     Kjo është një dëshmi, pas më shumë se 24 viteve, e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Nuk mund të vlerësoj autencitetin e këtyre ngjarjeve, fakt është se, në shtypin shqiptar në Tiranë, ku edhe u botua intervista e tij, nuk kishte kundërshtime për vërtetësinë e planit, por debati u përqëndrua më shumë, megjithëse në fare pak kohë, në utopinë e një plani të tillë. Mirëpo diçka tjetër është e vertetë dhe kjo është tashmë e njohur. Në veriun e Shqipërisë, pak para ngjarjeve të vitit 1981 dhe me më shumë nguti pas tyre, u ngritën depo të mëdha armatimi, për rreth 3o mijë ushtarë, me të gjitha mjetet e duhura logjistike, që nga paisjet më të thjeshta dhe deri tek armatimi i rëndë. Çdo gjë ishte e siguruar, përmes kanaleve të ndryshme, në shtetet perëndimore, logjistika ishte përgjithsisht angleze dhe e destinuar për një luftë në Kosovë. Çdo gjë që ishte në këto depo u shit pastaj, si është publikuar, me çmime qesharake nga zoti Zhulali, diku në Afrikë apo tek serbët e Bosnjes. Ndoshta EH, në vitin 1981, kishte menduar se, me anë të një lufte në Kosovë, qoftë edhe utopike, mund të shmangte vështërsitë e vendit të tij, mirëpo një logjikë e tillë nuk më duket e arsyeshme. Nëse shteti shqiptar, 25 vite më parë do të niste një luftë të tillë do ishte e vështirë, në mos e pamundur, që të mos merrte edhe reagimin e ashpër nga shtetet europerëndimore. 17 vite pas ngjarjeve të marsit 1981, përsëri në mars, kur nisi lufta në Kosovë, megjithëse shteti shqiptar nuk i hapi depot, përsëri ai u vue nën vëzhgim ndërkombëtar.

     Mundësinë e shmangies së problmeve nga një krahinë shqiptare në tjetrën, gjithnjë sipas mendimit tim, unë e përjashtoj, pasi duke njohur deri diku, psikologjinë, karakterin dhe filozofinë politike të E.H dhe ndihmësve të tij më të afërt, shpesh herë shumë fish më të egër, si Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, nuk e kishin zakon të pyesnin për gjëra të tilla dhe as të bëheshin merak se çfarë thonin rreth tyre. Këtë EH nuk e kishte pasur edhe shumë vite më herët, nuk do e kishte deri në fund të jetës së tij, duke sjellë, me dhimbje, kthimin e vendit të tij, në një fortesë, ku mund të rrije ankthshëm brenda, por nuk mund të dilje jashtë. Shteti shqiptar, për këtë jam i bindur, ka synuar githnjë, që përmes mërgatës shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, të ndikonte tek njerëzit. Nuk e përjashtoj që përme ambasadave shqiptare në shtetet perëndimore, sidomos në Zvicër dhe në Austri, janë bërë të gjitha përpjekjet për të patur lidhje të vazhdueshme me lëvizjet ilegale. Nga ana tjetër, edhe ilegalët që ishin jashtë Kosovës, e kërkonin dhe e donin këtë lidhje, e cila, asnjëherë, nuk ka qenë një lidhje agjenturore, e interesshme, edhe kur janë vendosur mes tyre strukturat e fshehta. Në fund të fundit shqiptarët në perëndim kishin dy ambasada ku mund të shkonin, tek ajo e Beogradit dhe tek ajo e Tiranës.

     Në fundin e viteve 80 mërgata shqiptare e Kosovës merr një hop të ri cilësor, por, e kam të vështirë të besoj se, përmes tyre, shteti shqiptar ka ndikuar në zhvillimin e demonstratave të marsit 1981, dhe sidomos të atyre të 11 marsit.  Fakti që më vonë, sidomos me 26 mars, këto demonstrime morën karakter të theksuar kombëtar dhe politik, ka edhe ndikimin e mendimit politik të mërgatës shqiptare e përmes tyre, edhe të shtetit shqiptar. Në demonstratat e vitit 1981 kishte shumë parulla politike, mes të cilave, më e rëndësishmja dhe më sunduesja ishte "Kosova Republikë". Po të vëresh me kujdes qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj parullave të hedhura, do të vëresh se, ndërsa u pajtua dhe mbështeti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, ai nuk u prononcua për bashkimin kombëtar. Në asnjë nga materialet bazë të qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është mbëshetur haptas një parullë e tillë, duke bërë përjashtim një citim i artikullit të fundit, në të cilin, aludimet bëhen shumë konkrete. Do të doja të përmbyllja këto shënime, me precizitetin shumë të lartë që u ka bërë ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, studjuesi dhe njëkohsisht njëri ndër miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të lirisë së Kosovës dhe të Ushtrisë së saj çlirimtare, profesor Shaban Sinani. "Shqiptarët qenë të parët që i treguan botës se "federalizmi shumëkatësh" i këtyre vendeve nuk funksiononte si propogandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër. Kosova i tha kësaj bote se çështjet nacionale ende nuk janë futur në arkiv dhe nuk mund të mbahen gjatë tabu. Herojtë e asaj kohe dhe sfida e tyre janë në nderin e historisë shqiptare. Tek kjo sfidë historia do të rikthehet shpesh. Ne e dimë se historia rrotullohet ngadalë, por kurdoherë që fati i shqiptarëve do të jetë afër mbarësisë, kurdoherë që cikli i historisë do të rikthehet aty ku çështja mbeti në vitet 80, protogonistët e saj do të çmohen".("Zëri i Kosovës"15 prill 1996). 30 vite pas këtyre ngjarjeve epike historia është rrotulluar në të mbarë të shqiptarëve. Ata kanë shansin e tyre të madh që të bëhen pjesë e historisë së vendit dhe kombit të tyre, nëse nuk do të harrojnë se deri këtu, është dashur një përkushtim i disa brezave, të cilin, nuk mund ta nëpërkëmbin pinjollët e një skote të namun. 

 

* ) Autori është Shkrimtar dhe publicist i njohur.

 

 

 

 

- Kjo kumtesë (në mugesë të autorit) u lexua nga Vjollca Stara në Tribunën, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, mbajtur në Heidelberg, më 21. 05. 2011.

 

  © Pashtriku.org - Maj 2011

 

 

 

- Zvicër, 06. 03. 2011-

Tribuna shkencore kushtuar

30 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981

 

Më 06 mars 2011 në Neuenhof të Zvicrës u mbajtë tribuna shkencore kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 të organizuara në Kosovë dhe mërgatë. Në këtë tribunë, shumë veprimtarë e veprimtare të kësaj periudhe të lavdishme historike, kanë lexuar kumtesat e tyre, dhe me këtë rast faqja www.pashtriku.org për lexuesit e saj boton:

1. SAIME ISUFI: PJESËMARRJA E GRUAS SI ORGANIZATORE DHE VEPRIMTARE NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË DHE NË MËRGIM,  

2. ISMET RASHITI: VITI 1981 DHE MËRGATA SHQIPTARE NË ZVICËR, DHE

3. MR.SC.METUSH ZENUNI: DEMONSTRATA E VITIT 1981 DHE NDIKIMI I TYRE NË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS.

 

 

 

PJESËMARRJA E GRUAS SI

ORGANIZATORE DHE VEPRIMTARE

NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981

NË KOSOVË DHE NË MËRGIM

 

     Përshëndetje

     Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëveprimtare të organizimit ilegal në Kosovë!

     Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëveprimtare të rrugëtimit të përbashkët plot tridhjetëvjeçar në aktivitetet e pandërprera nëpër metropolet e Evropës!

     Të nderuar pjesëmarrës e pjesëmarrëse të tribunës kushtuar demonstratave popullore të Pranverës së vitit historik 198!

     Ndjehem shumë e nderuar që pata fatin të jem pjesë e organizimit të përvjetorit jubilar të demonstratave të vitit 1981, këtu në Zvicër, ashtu siç jam ndjerë krenare kur kam qenë pjesë e veprimtarisë së një organizate ilegale me një jetëgjatësi të madhe dhe  me një veprimtari të bujshme e me plotë suksese në Kosovë dhe në Perëndim. Jam krenare gjithashtu që pata fatin që si studente të jem pjesë e angazhimit në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe që nga fundi i vitit 1981, të vazhdoj veprimtarinë e nisur në Kosovë bashkë me dëshmorët: Kadri Zeka, Zijah Shemsiu e Nuhi Berisha, poashtu me veprimtarët që nuk janë më në mesin tonë, por të cilët i kujtoj e do t’i kujtoj gjithmonë me respektin më të madh si: Hasan Kadriu, Rexhep Halimi, Shahin Hajdini, Nexhmedin Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tjerë të veprimtarisë patriotike e atdhetare që sot janë e edhe për shkaqe objektive nuk ndodhen në këtë tribunë, me të cilët bëmë tubime, protesta, demonstrata, fjalime e shkrime të pafund, deri me pushimin e aktivitetit të Lëvizjes. Jam gjithashtu e lumtur që si gjithë populli shqiptar në mbarë globin ta shoh dhe ta prek Kosovën e pavarur, ëndërr e jona kjo që nga dita kur dhamë betimin solemn para më shumë se tri dekadash se „do të luftoj deri në pikën e fundit të gjakut për lirinë e atdheut…“ Këtë betim u përpoqëm ta mbanim dhe punuam aq sa mundëm për lirinë e atdheut të gjithë bashkë dhe secili në mënyrën e vet, por një respekt të veçantë, nder e përulje për ta, për ditët që po gëzojmë, meritojnë dëshmorët;  ata që dhanë maksimumin për ditët e sotme. Ata që derdhën gjakun dhe e vulosën lirinë e shenjtë, të cilën na e lanë amanet, e të cilin amanet duhet përmbushur patjetër. Rrota e historisë nuk kthehet prapa, ajo ecën vetëm përpara, pavarësisht që këtyre rrotave po u vihen nganjëherë gurë aq të rëndë sa të na duken madje edhe të pakapërcyeshëm.

 

Hyrje

 

     Për këtë tribunë, që i kushtohet Pranverës së vitit 1981, kam zgjedhur temën për gruan, sepse jo rrallë kjo pjesë vitale dhe shumë e rëndësishme, gjysma e popullit, po lihet me dashje ose pa të, nën hije. Historia jonë e deritanishme kontributin atdhetar të gruas shqiptare, në rastin më të mirë e ka parë si një plotësim të aktivitetit të burrit, pa një peshë të mirëfilltë përmbajtësore për proceset historike, si një vlerë dekoruese dhe gjithnjë në funksion shoqërues por asnjëherë në atë qendror, ani se ajo kontribuoi për një vlerësim më ndryshe. Rrjedhimisht piedestali i saj ngrihet ose kufizohet në stereotipat si: „Grua burrnore“, „shoqëruese besnike“, „krahu i djathtë i burrit“, pastaj në formulimin denigrues se si „prapa një burri të suksesshëm, qëndron një grua e suksesshme“ etj. Pra, ajo afirmohet dhe hyn në historinë tonë në një mënyrë të çuditshme - falë burrit, pas burrit, nëpërmjet burrit, pastaj si shoqëruese besnike e tij, kurrë në saje të vlerave të saja që realisht i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë. Mendoj se do të duhej një vetëdijësim i dyfishtë gjinor: fillimisht i burrave për atë se nuk kanë kapacitet më të madh kundruall grave, por dhe është i domosdoshëm  vetëdijësimi i grave për vetë faktin se potenciali i tyre nuk është më i paktë se ai i burrave.

 

Saime Isufi - gjatë fjalimit të saj në tribunë.

 

 

*  *  *

     Tani po i kthehem temës të cilën jam përpjekur ta bëjë me përkushtimin më të madh, për të dëshmuar atë që e thashë më herët se kontributi i jashtëzakonshëm që ka dhënë gruaja shqiptare në të gjitha etapat e luftës për liri e emancipim, është dëshmuar në vazhdimësi. „Pjesëmarrja e gruas në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe në Mërgim“ Kam zgjedhur këtë temë, siç kam shkruar edhe më lart, së pari, se e kam për zemër,  dhe së dyti, pasi mendoj se e njoh mirë, duke qenë edhe vetë pjesë e disa ngjarjeve të rëndësishme, siç janë demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe kontributin e gruas në këto demonstrata si brenda në Kosovë, poashtu edhe në mërgim.

 

PJESËMARRJA E GRUAS SI ORGANIZATORE

DHE VEPRIMTARE NË DEMONSTRATAT

E VITIT 1981 NË KOSOVË

 

     Kontributi  i gruas shqiptare në të gjitha ngjarjet e vogla e të mëdha kombëtare e shoqërore është i rëndësishëm dhe shumë i çmuar. Nuk ka asnjë ngjarje të rëndësishme të etapave historike ku ka kaluar populli ynë ku të mos ketë dhënë kontribut edhe gruaja shqiptare. Pa pjesëmarrjen e saj direkte e indirekte, nuk ka ndodhur asnjë lëvizje. Por roli dhe rëndësia e pjesëmarrjes së vajzave e të grave shqiptare në Pranverën e Madhe të vitit 1981 është i përmasave të papara ndonjëherë. Pranvera e vitit 1981 ishte vazhdimësi e përpjekjeve çlirimtare, shtetformuese e progresive. Pranvera e vitit 1981 dhe rezultatet e saj nuk janë vetëm meritë e një brezi as edhe e disa brezave, por është rezultat i përpjekjeve shekullore të të gjithë brezave atdhetarë që nga mbretëresha Teutë te Mamicë e Donikë Kastrioti, nga Elena Gjika e Bubulina tek Nora e Kelmendit e Tringë Smajli; nga Motrat Qiriazi e Shotë Galica tek Bije Vokshi, Ganimete Tërbeshi e Hyrije Hana. Ndërkaq plejada e nëntorit pranveror e vitit 1968 si: Mejreme Berisha, Elhame Shala, Eshrefe Halimi, Emine Rakovica, Vahide Hoxha, Mynevere Kastrati, Vildane Ahmeti, Fetije Bajrami etj., i dhanë shtytje të re luftës për liri, me këtë edhe zgjimit të ndërgjegjies kombëtare por edhe shoqërore për emancipim e gruas dhe të shoqërisë.

     I hyra këtij historiku të shkurtër të kontributit të gruas gjatë historisë, duke sjellur edhe emra e mbiemra, për të treguar me fakte se në çdo ngjarje të rëndësishme historike, gruaja jo vetëm që ishte pjesëmarrëse në to, por qëndroi në ballë të tyre. Emrat e lartpërmendur e dëshmojnë këtë më së miri.

     Por po vazhdoj me historikun.

     Duke filluar prej demonstratave të vitit 1968, shtohet numri i femrave të organizuara në grupe të ndryshme ilegale, me një fjalë, në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim.

·        Në vitin 1974, me formimin e „Grupit Revolucionar“, në të janë futur edhe dy anëtare të këtij grupi: Haxhere Syla dhe Hidajete Osmani.

·        Në Gjilan në këtë kohë formohet Grupi „Shqiponjat e arta“ në të cilin bëjnë pjesë disa vjaza, ndër to: Sanije Osmani, Ilmije Korça dhe Saime Isufi.

·        Në Kamenicë formohet Grupi i ashtuquajtur „Kenzara“, në përbërje të vajzave: Zymrije e Kumrije Fazliu, Mihane e Minire Sadiku e Hasije Selishta e kështu me radhë.

Grupet sa shkonin e shtriheshin në të gjitha territoret e okupuara shqiptare. Që nga viti 1978 e këtej numri i tyre rritet, ashtu siç rritej edhe numri i gupeve ilegale dhe i burrave që merrnin pjesë në to. Nuk ka grup që nga ajo kohë e më vonë ku të mos ketë qenë prezente me aktivitete edhe gruaja shqiptare. Është e rëndësishme të përmendet se në grupet ilegale bënin pjesë edhe veprimtaret si:

 

 

·        Drita Kuçi në „Komitetin e Deçanit“;

·        Teuta Hadri, Teuta Bekteshi, Remzije Limani, Naime Maçestena, Shukrije Gashi, Qefsere dhe Shyhrete Malaj, të cilat vepronin në Prishtinë;

·        Lumnije Musa, Zyrafete Kryeziu, Shemsije Elshani e Kada Berisha vepronin në Suharekë;

·        Mejreme Krasniqi, Mehrije Krasniqi, vepronin në Rahovec.

·        Mira Kuqi, Zade Kelmendi e Xhyle Berisha, vepronin në Malishevë.

·        Xhevë Krasniqi - Lladrovci, Xhyle Hyseni dhe Sevdije Krsniqi, vepronin në Drenicë;

·        Saime Isufi, Kadrije Sejdullahu, Hanife Malaj, Rexhije Malaj, Saime Limani, Xhezide Osmani, Suzana Basha e shumë të tjera vepronin në Gjilan.

·       Hafide Topalli, Nazife Xhemaili, Shadije Xhemaili, Minire Ramadani, Florije Ramadani, Elmaze Grainca, Shadije Lohaj dhe Lumnije Morina, vepronin në Ferizaj;

·       Lumnije Musa, Burbuqe Hadri, Elida Zherka, Iliriana Nura, Sakibe doli, Lemane Dobruna, Xhemile Hoti, Sevdije Zeqiri, Fiqerije Zeqiri, Nora Zherka, Iliriana Bytyqi, vepronin në Gjakovë.

·        Remzije Maxhuni, Ajshe Osmani, Hatixhe Morina, vepronin në Mitrovicë.

     Natyrisht që ka patur edhe grupe të tjera, por për shkak të vepritmarisë ilegale të tyre, nuk janë nxjerrë akoma në dritë. Është dhe mbetet detyrë e historianëve që ta bëjnë një gjë të tillë. Pak muaj para shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, kur gjaku ynë vlonte për liri, pata shkruar një poezi kushtrimtare, me të cilën si e re dhe plot entuziazëm për ditët që po vinin, në mënyrën time, përmes poezisë pasuese, doja të ftoja motrat kosovare në luftë për liri:

 

MOTRAVE KOSOVARE

 

Të ngirtemi në këmbë!

Motra trime, kosovare!

Në luftë për lirinë!

Për tokën tonë shqiptare!

 

Të këpusim pranga e zinxhirë!

Të zhdukim terrin e zi!

Mjaft në shtypje e mjerim!

Gjer kur në robëri?

 

Mbi të gjithë rëndon robëria,

Por shumëfish më rëndë,

Prandaj pa forcën e luftën tonë

S’ka liri as botë të re.

 

Duart tona punëtore

Janë më të forta se çeliku

Kur, të bashkuara i ngrejmë grushtet

Tmerr frikë mbushet armiku.

 

Për ne, motra, s’ka rrugë tjetër

Përveç luftës çlirimtare;

Me duar tona do ta bëjmë

Të lirë Kosovën e gruan shqiptare.

(Botuar në „Këngët e lirisë“, 1980)

 

     Nga ky numër i madh i grave dhe vajzave të inkuadruara në grupe të ndryshme ilegale, por me qëllimin e përbashkët: çlirimin nga zgjedha pushtuese e serbomëdhenjve dhe bashkimin me Shqipërinë amë, del konkluzioni se ato bashkë me burrat e djemtë e grupeve që u përkisnin, u kalitën e u përgatitën për shpërthime të revoltës e të pakënaqësisë, duke filluar me kërkesa për kushte ekonomike deri tek ato politike. Dihet mirëfilli se anëtarët e grupeve ilegale, ishin në vazhdimësi duke u përgatitur teorikisht, me leximin e studimin e historisë së vërtetë kombëtare, të botuar në shtetin amë, por edhe vepronin praktikisht duke shkruar e shpërndarë trakte e pamflete, literaturë „të ndaluar“ e gazeta si: „Liria“, Lajmëtari i lirisë“, „Bashkimi“ etj., në këtë mënyrë ata po përgatisnin masat popullore për shpërthime të mëvonshme, duke i ndërgjegjësuar  dhe vetëdijësuar ato se kush ishin armiqtë e popullit tonë, që Kosovën e pasur me flori e kishin shndërruar në  shtëpi të varfër të Evropës, duke ia vjedhur pasuritë, mbi të cilat po flinte ajo.

 

 

Gratë - veprimtare të viteve 80'të në Kosovë dhe mërgatë.

 

     Para shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, më kujtohet se në mesin e studentëve në konvikte shpërndahej e lexohej me ëndje literatura e ndaluar. Leximi dhe shpërndarja e literaturës ilegale sikur u bë modë dhe në njëfarë mënyre shpërndahej e lexohej pothuajse fare hapur. Dhe kush e bënte këtë? Natyrisht këtë e bënin anëtarët e organizuar në grupe e organizata ilegale, të cilët e kishin për detyrë zgjerimin e radhëve me anëtarë të rinj; me këtë dhe shpërndarjen e literaturës dhe përgatitjen e simpatizantëve të cilët, futeshin më vonë në grup a organizatë. Poashtu në mesin e studentëve në këtë kohë këndoheshin këngë patriotike e luftarake. Rinia studentore po piqej. Rinia studentore po ndizej. Me këtë po piqeshin  rrethanat për veprime të hapura kundër padrejtësive. Në grupet ilegale diskutohej gjatë nga anëtarët si e si të bëheshin organizime të protestave e demonstratave. Në një mënyrë, dukej sikur koha nga dalja prej lëvozhgës së organizimit ilegal, po kalonte. Diskutohej për format legale të veprimit.  Për veprim të hapur dhe të drejtpërdrejtë kundër pushtuesit, në organizatën tonë, ka qenë diskutuar shumë herë. Me këtë dua të them se është diskutuar gjatë dhe shumë herë se nga veprimtaria ilegale, duhej kaluar në aksione të hapura, në veprim legal. Nga shkrimi i parullave, shpërndarja e trakteve dhe literaturës së ndaluar natën, ose shpërndarja ndërmjet shoqeve e shokëve të besueshëm, u fillua të flitej hapur kundër padrejtësive; pos kësaj, u diskutuan format e protestave dhe dalja hapur në demonstrata. Duhej një shkëndijë, që zjarri të përflakte gjithë Kosovën. Dhe kjo siç është e njohur ndodhi më 11 mars 1981, në Mensën e Studentëve. Në mensë atë natë ishin grumbulluar shumë studentë, të cilët ishin në pritje të një ndeshjeje futbollistike dhe shpejtonin të hanin sa më shpejt darkë, për të patur kohë ta ndiqinin ndeshjen. Ky rast i grumbullimit të studentëve u shfrytëzua nga anëtarët dhe simpatizantët e grupeve të organizuara, të cilët u shpërndanë në mesin e studentëve, në radhët e pritjeve, duke bërë zhurmë e duke krijuar parregullsi, për ta shfrytëzuar rastin dhe nxitur revoltën e mbledhur. Ndër ta u shqua studenti Abdullah Tahiri, sot dëshmor i Kosovës, i cili ishte  i organizuar dhe me të edhe Bahrije Kastrati, të cilët i përplasën tabakët e bukës duke thënë: „Kështu nuk durohet!“.

     Në Konferencën  Shkencore rreth Veprimtarisë së Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim, mbajtur në Prishtinë, më 2-3 prill 2010,  Bahrije Kastrati - Bislimi rreth protesës së 11 marsit 1981, në fjalën e saj, theksoi: „…Kontributin tim dua ta ndërlidh me librin e historianit dhe shkrimtarit të njohur dhe të çmuar anglez Noel Malcolm: „Kosovo: A short history“ („Kosova një histori e shkurtër“)… për shkak të mungesës së informacionit të duhur lidhur me zhvillimin e  ngjarjeve të datës 11 mars 1981, në Mensën e Studentëve në Prishtinë, ky autor, mes tjerash, kishte shkruar se si një sutdent e kishte përplasur pjatën për shkak se në ushqim e kishte gjetur një insekt. Duke marrë shkas nga kjo e dhënë, qëllimi i kumtesës sime është që të tregoj me saktësi zhvillimin e ngjarjes së 11 marsit të vitit 1981 në Mensën e Studentëve, e cila ishte katalizatore e demonstratave të mëdha studentore dhe popullore të këtij viti.

     Ndonjëherë, modestia duhet lënë anash, për hir të së vërtetës. Prandaj do ta tregoj realitetin e asaj date në mënyrë që të mos bëhen gabime të tilla gjatë shkrimit të librave në të ardhmen në mungesë të informacionit.

     Realiteti është ky:

     -  Nuk ishte student ai që e hodhi pjatën e ushqimit, por ishte studente dhe kjo isha unë, Bahrije Kastrati, tani me mbiemrin Bislimi.

     -  Nuk ishte insekti arsyeja e hedhjes së pjatës, por e gjitha ishte një skenar i përgatitur nga studentët që vepronin ilegalisht për çështjen kombëtare e të cilët ishin: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Agim Paçarizi, Teuta Hadri, Bahrie Kastrati, Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Jonuz Jonuzaj, Ajete Lloluni, Shemsi Syla e të tjerë, të cilët kontribuan e që hëpërhë nuk më kujtohen, pasi që kanë kaluar 29 vjet nga ajo kohë.

     Skenari ishte përgatitur më herët që ta bëjmë konkret aktin e shpërthimit të revoltës në mënyrë demonstrative dhe të drejtpërdrejtë, ashtu që të fillojë protesta për të cilën ishim të bindur se do të gjente përkrahje te të gjithë studentët si dhe tek i gjithë populli.

     - Për këtë akt kemi diskutuar për një kohë të gjatë me Xhevën, Agimin dhe Babën Dyl (është fjala për të ndjerin Avdyl Krasniqi - babanë e Xhevës) për formën e fillimit të protestës, mënyrën, momentin dhe kohën e përshtatshme që ky demonstrim të jetësa më i fuqishëm dhe i suksesshëm për arritjen e qëllimit tonë, i cili fillimisht do të shpalosej si protestë për përmirësimin e kushteve të studentëve në universitete dhe në mensë.

     Tani dua të vë në pah momentin kyç të fillimit të demonstratës në mensë.

     Ishte ora 18.00, ndërsa në Mensën e Studentëve ndodhej një numër shumë i madh duke pritur për të ngrënë atë bukë të paktë që na jepnin. Pa ekzagjerim them se studentët prisnin me orë për t’u ushqyer. Pas pritjes 50-minutëshe erdhi edhe radha ime për ta marrë tabakun me ushqim. Në atë moment, me një guxim që as sot e kësaj dite nuk e di se si më erdhi, e përplasa tabakun e ushqimit përtokë. Ky, zonja dhe zotërinj, ishte moment kyç pas të cilit studentët e tjerë filluan t’i përplasin të gjitha tavolinat e mensës si dhe të brohorasin parullën: DUAM KUSHTE MË TË MIRA!“. Pra, ky qe momenti i cili edhe nxiti organizimin e demonstratave të tjera në vijim“. („Veprimtaria e Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim“, F. 369, 370, 371) Ndërkaq dëshmori Nuhi Berisha, i organizuar në OMLK dhe pjesëmarrës në demonstratën e 11 marsit 1981, për këtë ngjarje shkruan në librin: „Pranverë e luleve të kuqe“: „…në mensë kishte shumë studentë…disa studentë kundërshtuan për ushqimin e dobët… Pasi erdhën disa punëtorë të Qendrës së Studentëve për të biseduar me ne na thanë: „Në daçi merreni këtë ushqim, në daçi lëreni, tjetër ushqim nuk ka!“ Atëherë një student i mëshoi tavolinës dhe u kthye nga studentët që hanin bukë, duke u thënë: „Ngrehuni, çfarë po prisni, asnjë të mos e marrë këtë ushqim!“ Filluan të përmbysen karrigat dhe një vajzë e hodhi lart tabakun e ushqimit…“

 

     Shkëndija e parë plasi. Dhe mjaftoi kjo shkëndijë që në fillim u duk e vogël, por mjaftoi kjo, që të veprohej më tutje, për organizimin e protestave të reja edhe më të fuqishme. Flitej kudo për protesën e 11 marsit. Punohej në mesin e studentëve të organizuar, për organizimin e demonstratave të ardhshme. Ndodhi demonstrata e 26 marsit. Përsëri studentët në ballë të organizimit e në ballë të demonstrimit. Studentët u bashkuan në oborrin e konvikteve me flamur dhe parullat e shkruara në çarçafët e tyre: „Duam kushte!“, „Duam shokët!“ „Duam liri!“ „Poshtë tradhtarët!“ „Trepça është jona!“ ndërkaq më vonë, më e madhja nga të gjitha u duk parulla: „Kosova Republikë“. Studentët marshuan drejt qytetit. Por para mensës, policia nga frika dhe për t’i ndaluar studentët, hodhi gaz lotsjellës mbi ta. Protesta vazhdonte, përkundër barrikadave me gaz lotsjellës, me kërbaç e kërcënime. S’kishte forcë ta ndalte rininë tonë heroike, të cilës iu bashkua edhe masa e nxënësve e më pas edhe masa populore. Studentët u përleshën me policinë e armatosur. U rrahën e u burgosën. Revolta rritej dhe ajo çoi në shpërthime më të mëdha. Shpëthyen demonstratat gjithëpopullore të 1-2 e 3 prillit. Në ballë të tyre si gjithmonë dolën studentët si dhe vepritmarët e organizatave të ndryshme. Në ballë të tyre si gjithnjë edhe vajzat shqiptare. Në këto demonstrata edhe ajo i pëson të gjitha pasojat e pjesëmarrjes. Ajo përndiqet, ajo merret në të ashtuquajturat biseda informative; ajo vritet, është akuzuar për nacionalizëm dhe irredentizëm; ajo përjashtohet nga puna; është nxjerrë në gjyq dhe është dënuar si:

 

Teuta Hadri,

Myrvete Dreshaj,

Ajshe Gjonbalaj,

Hava Shala,

Zyrafete Muriqi,

Drita Kuçi,

Hidajete Kelmendi,

Zoge Shala,

Safete Krasniqi,

Trëndelinë Labënishti,

Gjyle Krasniqi,

Shahide Kabashi,

Shukrie Rexha,

Naime Maçastena,

Flora Brovina,

Zyhrije e Lejlie Mujota,

Nazlie Zogaj,

Elmaze Grainca,

Hafide Topalli,

Nazife Xhemaili  etj.

 

     Kur shokët e shoqet tona na i rrahën, na i vranë, na i burgosën e na i dënuan, në konvikte dhe në oborret e tij nuk pushonte kënga, nuk pushonin protestat. Autoritetet na i mbyllën shkollat e univeristetin; na larguan edhe nga konviktet. Për ditën e largimit nga konviktet në njërin nga fletët e ditarit tim kam shkruar atëbotë:

     18 maj 1981… Konviktet e studentëve u mbyllën…

     Të gjithë tashmë dinë për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë; shpërthimin e demonstratave, arrestimin dhe burgosjen e shoqeve dhe shokëve tanë; ndrydhjen e zjarrit tonë revolucionar që shpërtheu në tërë Kosovën gjatë muajve mars e prilli të këtij viti. Pas ngjarjeve të 11 marsit, 26 marsit dhe të fillimit të prillit, kur konvikteve tona u vinte akoma era helm të gazit lotsjellës, kur akoma oshëtinin në veshët tanë zhurmët e pushkëve dhe automatikëve, nuk kishte më gjendje mësimi e qetësie për ne. Për çdo natë tuboheshim para konvikteve dhe kërkonim shoqet e shokët tanë të vrarë e të burgosur; thërrisnim parulla dhe brohorisnim për republikën tonë. Mirëpo kërkesat tona nuk përfilleshin. Aktivistët e Lidhjes Komuniste që qëndronin më të gatshëm se kurrë për të vepruar, ishin  në lëvizje të vazhdueshme; por edhe ne kishim vendosur që pa realizimin  e kërkesave tona, të parashtruara që në fillim të prtoestave, të mos qetësoheshim. Përpjekjet e kujdoqofshin ato për qetësimin tonë ishin të kota. Edhe për krijimin e një gjendjeje normale në konvikte, ishte e pamundur. Situata po ashpërsohej nga dita në ditë. Ne ishim të vendosur të mos shkonim në ligjërata. Po përgatitej të shpërthente përsëri revolta jonë. Dhe nga kjo frikë, universiteti u mbyll, duke na larguar kështu edhe ne  studentëve  një muaj para afatit të rregullt nga konviktet (pikërisht në gjysmën e muajit maj të ’81-shit), me shpresë se do të « mblidhnim mend » dhe t’i harronim shpejt ato ngjarje të përgjakshme e heroike. E kush s’do të çuditej nga një parashikim i tillë anormal?! E si mund të harronim gjakun e shokëve e shoqeve tona të derdhur rrugëve të Prishtinës e qyteteve tjera të Kosovës ; si mund të harronim shokët e shoqet tona të arrestuara ; ata, të cilët kishin lënë bangat e zbrazëta në fakultet ?! …Gjithçka ndoshta mund të harronim, por ato ngjarje nuk do t’i harronim kurrë !...

 

Gratë - veprimtare të viteve 80'të në Kosovë dhe mërgatë.

 

     Atë vit na vranë, na burgosën e gjakosën, na zgjatën « pushimet » për një muaj më shumë, por për çudi (gjë që s’kishte ndodhur kurrë deri atëherë) për ne ishin siguruar edhe autobusë special, të cilët do të na bartnin nga konviktet deri në qytetet apo fshatrat tona. Lëre se na i sillnin autobusët, por ata për herë të parë në jetën tonë studentore i kishin organizuar të na barnin falas dhe në oborrin e konvikteve. Shumëçka na dhanë atë pranverë të përgjakshme falas: plumba, helm, shqelma, grushta, kërbaçë, fyerje, sharje, burgje, varre…e edhe autobusë! Tri ditë rresht autobusët po bartnin studentët. Unë shkova e fundit t’i mblidhja plaçkat që i kisha në dhomë. Me mua ishin edhe dy shoqe që kishin ardhur për të më ndihmuar. Arritëm para konvikteve. Ç’të shihje! Heshtje varri. Para konvikteve qëndronte një veturë policie e gatshme për të futur brenda çdonjërin nga ne, për zërin më të vogël që mund të lëshonim. „Aktivistët“ aty-këtu i drejtonin studentët për në theqafje, në mënyrë që të mos u linin hapësirë të silleshin rreth konvikteve ose fakulteteve. Të shkonin ku të donin, ama ku të donin, vetëm larg e më larg vatrës së zjarrit…

     Desha të hyja bashkë me shoqet në konvikt, mirëpo „rojtari“, të cilin nuk e kisha parë kurrë, nuk më la të hyja, ashtu siç kisha hyrë gjatë tërë vitit. Bile ky „rojtar“ më kërcënoi se nëse do të bëja fjalë, nuk do të më linte të hyja fare dhe se konvikti ishte mbyllur dhe s’lejohej të hynte njeri brenda. Megjithatë, unë këmbëngula se do të merrja plaçkat e mia dhe ai nuk rezistoi më por u zbraps. Më kërkoi librezën e konviktit dhe letërnjoftimin. Shoqet që ishin me mua, nuk i la të hynin. Më dha me vete një shoqëruese (shërbëtore), e cila me përtesë të madhe m’i hapte dyert njërën pas tjetrës. S’më dukej ai konvikt që kisha njohur për katër vjet me radhë. Ai ngjante me një burg të vërtetë. Me një burg ku orë e çast dëgjohet tringëllima e vrazhdë dhe e rëndë e çelësave të ashpër, tek hapin e mbyllin dyert. Shërbëtorja u mërzit duke hapur e mbyllur dyert, sa në një çast shpërtheu nga inati : « Sikur t’i kishin mbushur lira këto konvikte, e kanë frikë se mos ua merr kush ! » E shkreta nuk kuptonte, se këto konvikte kishin mbajtur brenda tyre njerëz me vlera më të mëdha se sa lirat që përmendi e shkreta!

     Hyra në dhomë. Dhoma ishte e shkretë. Shoqet e dhomës kishin mbledhur plaçkat dhe ishin larguar… Nuk isha përshëndetur me to…Nuk na lanë kohë të përshëndeteshim… E ku e dija unë se do të ndahehsha nga shoqet në atë mënyrë?!... Secila nga to më kishte lënë një gjë të vogël në shenjë kujtimi, sepse nuk i dihej jetës… Mblodha plaçkat dhe shumë e mërzitur dola nga konvikti. Autobusi po na priste. Na urdhëruan të largoheshim sa më parë nga këtu. Kishin frikë se mos shpërthente prap ndonjë shkëndijë revolte. Hipëm në autobus. Për çudi nuk njihnim asnjërin nga studentët. Një shoqe imja nuk deshi të hynte në autobus nga frika se nuk do të na na shpiente në qytetin tonë. I thashë me zë të rreptë dhe nga zemërimi që më kishte kapluar në ato çaste : « Hyr e mos bë fjalë, se s’kanë ku na çojnë përveçse në Kosovë!» Ajo u bind. Hipi pa bërë fjalë në autobus. Autobusi u nis… Unë ktheva kokën prapa të vështroja konviktet e mbetura shkret. Vështroja me dhimbje oborrin e atyre konvikteve, ku kishim kaluar atë pranverë me netë të tëra pa gjumë ; aty ku kishim filluar demonstratën e 11 e të 26 marsit ; të 1-2 e 3 prillit; aty ku ishim përleshur me ushtri e polici speciale; aty ku shoqet e shokët tanë kishin lënë dorën, këmbën, syrin e veshkët ; aty ku gjaku ishte derdhur lumë ; aty ku agimet na kishin gjetur zgjuar… tani oborri dukej si një varr i vërtetë ; si një varr i lënë në harresë dhe mbi të pa mëshirë shkilte pa mëshirë këmbë e huaj… Ndërsa qëndrimi i veturës së policisë në oborrin e konvikteve, ishte shenja më e pështirë me domethënien e saj të pështirë e të urryer, për çdo njeri se çdo lëvizje ishte nën kontroll, se diçka e madhe kishte ndodhur, dhe pritej të përsëritej në atë oborr…

 

*   *   *

     Pati edhe të atillë që u mashtruan se duke na larguar nga konviktet, çdo gjë do të përfundonte me kaq, por e patën gabim : lufta veçsa kishte filluar… Nga ato që kam përshkruar më lart për kontributin e gruas në demonstratat e vitit 1981 janë një dëshmi se gruaja ishte po aq aktive dhe po aq pjesëmarrëse në demonstrata sikurse edhe burri. I përjeton të gjitha pasojat siç i përjeton edhe burri. Prandaj e ka dhe do ta ketë vendin e saj në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare për Çlirim. Pra nga ato që thashë më lart, dhe që ka mbetur shumë pa u thënë, kam përmendur emra e mbiemra, e them me përgjegjësi se demonstratat e vitit 1981 pa dyshim kanë qenë të organizuara dhe të udhëhequra nga veprimtarët e grupeve ilegale që vepronin atë kohë në Kosovë. Prandaj çdo përpjekje për të shtrembëruar dhe vënë në dyshim organizimin e tyre dhe pse, kush e si i organizoi ato, me përbuzje bien poshtë dhe janë gënjeshtra me bisht.

 

PJESA E DYTË:

 

PJESËMARRJA E GRUAS

NË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË MËRGIM

 

     Aktiviteti i gruas në mërgim në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në shtetet e Evropës Perëndimore, ishte padyshim i pranishëm dhe s’mund të ndodhte ndryshe, ashtu siç është e njohur nga historia jonë,  ku nuk ka ndodhur të jetë zhvilluar ndonjë ngjarje historike, kombëtare e atdhetare, ku të mos ketë qenë pjesëmarrëse edhe gruaja. Por specifikë e veçantë në këtë kohë ka qenë ndoshta numri i vogël i pjesëmarrëseve nga ana e grave shqiptare në aktivitetet në mërgim, në protesta e demonstrata, sepse edhe numri i tyre ishte shumë minor në krahasim me burrat. Atëbotë ishin burrat ata që kishin mërguar, ndërsa gratë mbanin shtëpinë e rrisnin dhe edukonin fëmijët e tyre në Kosovë, një anë kjo që ka vlerat e saja të çmuara, sepse edhe në këtë formë ajo ruajti vitalitetin dhe trashëgiminë e popullit tonë.  Ajo vuajti mungesën e burrit, të vëllait e të babait. Por, edhe ai numër i paktë i grave që ndodhej në mërgim iu bashkangjit pa hezitim vargut të bashkatdhetarëve në protesta e demonstrata të organizuara kudo në Evropë.

     E veçanta e demonstratave në mërgim, në krahasim me ato në Kosovë ishte se në këto të fundit kontribuan drejtpërdrejtë përveç miqve edhe mikeshat tona të paharruara zvicerane. Që në kërkesën e parë drejtuar organeve zvicerane, për demonstrim më 11 prill 1981 në Bernë, demonstratë e organizuar nga Kadri Zeka me bashkëpunëtorë, figuron emri i një gruaje, e cila që nga demonstrata e parë e deri te ajo e fundit, punoi e kontribuoi bashkë me ne për çështjen e Kosovës. Eshtë fjala për zonjën Kathrin Asal. Përveç Katrinës, në demonstratën e parë e më tutje kontribuoi edhe zviceranja tjetër, Sara Gretler, e cila shkroi parullat e para në gjuhën gjermane, për opinionin zviceran me këtë përmbajtje: „Kosova Republikë“, „Ne jemi me studentët“, „Liri për Kosovën“, „Internacionale, solidaritet“, „Beogradi vrasës“ etj.

     Ndërsa sa i përket aktivitetit të gruas shqiptare në mërgim, duke qenë larg vendit, me mallin e pashuar për të dhe njerëzit e saj, ajo  iu bashkangjit të gjitha protestave e demonstratave, duke dalë edhe në ballë të tyre me flamur e parulla. Në kohën që në në Kosovë Beogradi po bënte gjëmën mbi vëllezërit e motrat e saj, mori pjesë që në thirrjen e parë për demonstratë, më 11 prill 1981 në Bernë, duke ngritur zërin e saj protestues si nënë, motër e bashkëshorte, në përkrahje të demonstratave dhe kërkesave të rinisë studentore e të popullit të Kosovës. Pas Bernës, ajo vazhdoi të protestojë edhe në demonstratat tjera të organizuara gati në çdo fundjavë gjatë pranverës dhe verës së vitit 1981 në Perëndim, si në atë: të  Cyrihut, të Shtutgartit, të Dyseldorfit, të Mynihut, të Gjenevës, të Brukselit etj.  Për fat të mirë ekzistojnë edhe pak dokumente në fotografi si dëshmi të asaj kohe, për pjesëmarrjen e gruas në radhët e para të demonstruesve. Gratë paraqiten zakonisht me plis në kokë, duke emetuar kështu heroinën tonë, Shotë Galicën, apo me veshje kuq e zi, me ngjyrat tona simbolike.

Demonstratë para selis së OKB'së në Gjenevë (1983)

 

     Gruaja shqiptare u shqua jo vetëm për pjesëmarrje në demonstrata, por ajo mbajti edhe fjalë të zjarrta në këto protesta. Vlen të përmendet fjalimi i një demonstrueseje (S.I.) në demonstratën e Dyseldorfit, në Gjermani, të mbajtur më 8 maj 1981. Në fjalën e saj ajo ndër të tjera thotë: „…Tani e dimë se jo vetëm shqiptarët, por tërë botën e kanë tronditur ngjarjet tragjike që po ndodhin në Kosovë. Popullli ynë trim, punëtor,  paqedashës e i etur për liri dhe pavarësi, në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe politike gjeti rrugën më të përshtatshme për të kërkuar të drejtat e veta (borxhin e vjetër) nga qeveria jugosllave.

     Qeveria jugosllave, që popullin kosovar e ka mbajtur dhe e mban gjithnjë në shënjestër, nxitoi me tanke e helikopterë, vrau, burgosi e therri lulen më të bukur – rininë e Kosovës. Kështu udhëheqësit jugosllavë e treguan edhe njëherë fytyrën e tyre të vërtetë të pushtuesit, vrasësit e fashistit gjakatar. Tani kjo udhëheqësi  kot përpiqet me fraza të thata, me shpifje e trillime, t’i mashtrojë popujt e botës për krimet që po bën mbi popullin tonë në Kosovë. Turp i botës. Tragjedi e shekullit XX, e vetëquajtur socialiste e të lëshohet mbi një popull të shtypur me shekuj si bishë e çartur, ta vrasë, ta dhunojë e më në fund edhe ta akuzojë.

     Ne jemi një popull i vogël përballë një bishe të madhe, por jemi të fortë e të pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë  për ata që na i shkelën vatrat dhe na i grabitën pasuritë“. Kjo e re vazhdon të flasë më tutje për kohën e errët të Rankoviçit, të Titos e të Kolishevskit, duke theksuar se: „Klika revizioniste jugosllave gjithmonë ka dënuar e vrarë, por kurrë s’na ka mposhtur. Kjo klikë renegatësh e preku popullin tonë në gjërat më të shenjta e më të shtrenjta. Ajo në të kaluarën e afërt (në kohën e gjakpirësit Rankoviç) vrau e zhduku mijëra shqiptarë, dhe jo vetëm kaq. I emigroi , u hyri në familje, cënoi me dhunë moralin e gruas shqiptare, pse ajo kishte qëndisur një shami kuq e zi, apo pse në pajën e saj kishte punëdore me ngjyra simbolike. Pra edhe paja e vajzave shqiptare i hynte në politikë renegatit Tito, Rankoviç, Kolishevski, të cilët edhe sot po e tregojnë hijen e vet dhe hujin e ujkut të etshëm për gjak shqiptari. Edhe sot bota e quajti me të drejtë Kosovën, „Shtëpia e varfër e Evropës“, të cilën udhëheqja jugosllave e la të tillë me qëllim dhe tani kërkon t’ia shtjerë flakën  dhe dëshiron ta djegë me fëmijë në djep, me të rinj e të reja, me gra e burra. Por, s’e djeg dot.

     Kosova prap do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini, sepse vetë është e re. Kosova do të ketë liri, se për të po lufton e po derdh gjak sot. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët në epruveta, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e rrisim gjithmonë nipa  e mbesa të Shotës dhe të Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit, të Emin Durakut e Çerçiz Topullit. Dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë. Çfarë u prish punë revizionistëve jugosllavë pse jemi popull patriot?... Çfarë mëkati bëri populli ynë që kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistët? Po pushtuesit? Kush kujt ia turbullon ujtë?... Ne do të fitojmë. Por fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushta të bashkuar për tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë… Poshtë tradhtarët e atdheut! Nuk duam jetë pa liri! Lavdi dëshmorëve të rënë për atdheun! I qofshim falë atdheut tonë të dashur, Kosovës sonë të shtrenjtë!

     Pra gruaja shqiptare në mërgim e indinjuar tej mase për atë që po ndodhte në Kosovë, u rreshtua përkrah burrit të saj në çdo aktivitet për Republikën e Kosovës. Ajo ndihmoi, inkurajoi e bashkëpunoi me burrin për ta çuar çështjen përpara. Ajo nuk i la fëmijët në kopshte e çerdhe, por i mori me vete në protesta e demonstrata, në kohë me shi e me borë, me rrebesh e furtunë, vetëm e vetëm për t’ua mësuar atyre rrugën e vështirë drejt lirisë së Kosovës; rrugë të cilën këta fëmijë e mësuan mirë dhe s’e harruan e s’do ta harrojnë kurrë. Pjesëmarrja e gruas bashkë me fëmijët në ballë të protestave e demonstratave i la pa gojë gazetarët e shumtë zviceranë, gjermanë, belgë, francezë etj., si dhe autoritetet vendore, të cilët shtruan pyetje rreth këtij fenomeni të paparë ndonjëherë. Pyetën prindërit se ç’donin fëmijët në këtë mes? Por nënat tona të indinjuara me atë që po ndodhte në Kosovë ditën t’u përgjigeshin: „Të gjithë jemi ngritur në këmbë dhe do të qëndrojmë në këmbë, derisa të pushojnë dhuna e terrori në Kosovë, deri sa të fitojmë të drejtat tona!“

     Gruaja shqiptare kontribuoi edhe në shkrimin e parullave. U përkujdes për to duke i mirëmbajtur, bashkë me flamurin e shenjtë kombëtar. I lau e hekurosi dhe i barti nga demonstrata në demonstratë. Gruaja strehoi, mbajti e ushqeu shumë të rinj të larguar nga dhuna e terrori në Kosovë. Emrat e tyre janë shumë, por unë po përmend disa prej atyre, ato që s’u ndalën asnjëherë që nga demonstrata e parë: Zahide Avdullahu, Sabrije Kelmendi, Zade Tafallari, Vezire Muja, Ismije Beshiri me nënën e saj, Remzije Musliu   (e ndjerë) e plot të tjera, por që në një studim të veçantë do duhej të përfshiheshin emrat e tyre. Viti 1981 për gratë mërgimtare, ashtu si për punëtorët tanë, ishte një vit plot aktivitete, me protesta, tubime e demonstrata të përjavshme. Ishte një vit i mbushur me suksese në sensibilizimin, mobilizimin, shtimin e numrit të demonstruesve nga demonstrata në demonstratë; si dhe në zgjerimin dhe rritjen e numrit të  simpatizantëve dhe miqve të huaj në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve për liri dhe Republikën e  Kosovës.

 

Përfundim

 

     Shikuar në aspektin e aktivitetit kombëtar edhe gruaja shqiptare në mërgim ka dhënë kontributin e saj, që nga demonstrata e parë në mërgim e deri tek demonstratat e fundit;  deri me daljen në skenë të partive politike në Kosovë.  Për kontributin e saj, në interes të atdheut të vet, ajo ka marrë edhe çmime në vendet nikoçire. Ajo vazhdoi dhe vazhdon të japë edhe sot kontributin e saj në aspekte tjera, me vepritmari e projekte të shumta si: në çështjen e mësimit të gjuhës dhe kulturës amtare për fëmijët shqiptarë; në projekte të ndryshme integrimi të komunitetit shqiptar në diasporë, në aktivitete kulturore, sportive etj. Në këtë kumtesë të kufizuar për aktivitetin e gruas, jam përpjekur të jap kontributin tim sa i përket aktivitetit të gruas në Kosovë dhe në mërgim, i cili është mjaft i gjerë dhe përfshinë një vit të mbushur me demonstrata (në vitin 1981 u mbajtën nëntë demonstrata në shtetet të ndryshme të Evropës), ku gruaja ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm. Mbetet për t’u thënë më shumë në të ardhmen rreth asaj që ka bërë vazhdimisht gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare.

Saime Isufi,

Neuenhof, 06. 03. 2011

 

(Kumtesë e lexuar në tryezën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë, mbajtur në Neuenhof të Zvicrës, më 06 mars 2011)

 

© Pashtriku.org

....

 

 

NË 30 VJETORIN E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË MËRGATË

 

 

V I T I   1 9 8 1

DH E

MËRGATA SHQIPTARE NË ZVICËR

Ismet Rashiti gjatë leximit të kumtesës në tribunë.

 

 

     Viti 1981 është vit historik. Protestat studentore të 11 dhe 26 marsit dhe pastaj demonstratat gjithëpopullore të 1 dhe 2 prillit të ati viti në mbarë Kosovën, definitivisht ishin fillimi i shkatrrimit të ish Jugosllavisë. Paknaqësia e studentëve me gjendjen e rënd ekonomike e socilae, kulmoi pastaj me kërkesa politike, ndër të cilat më kryesorja ishte Kosova Republikë! Këto protesta e demonstrata dëshmuan hapur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm pozitën e rënd ekonomike të Kosovës në ish Jugosllavi dhe sidomos dëshmuan mbi padrejtësitë e mëdha historike që u ishin bërë shqiptarëve nga fuqitë e mëdha, duke i ndarë e coptuar trojet shqiptare sipas orekseve të shteteve fqinje. Më e rëndësishmja është se ngjarjet e vitit 1981 bënë kthesë të madhe dhe një këndellje politike e kombëtare të shqiptarëve në hapsirat e ish Jusosllavisë, ndërkohë që politika e mashtrimit që thirrej në emër të «bashkim vëllazërimit» dhe «barazisë nacionale », përpiqej me çdo kusht të zhbënte çështjen kombëtare shqiptare. Klasa politike e asaj periudhe me të drejtë kishte deklaruar se ngjarjet e vitit 1981 i kishin gjetur në «befasi », mbasi ata të kënaqur me kolltuqet dhe privilegjet e tyre nga pozitat prej kuislingësh, i kishin mbyllur sytë dhe veshët për të parë e dëgjuar mjerimin e popullit të tyre si dhe burgosjet e ndjekjet politike që u bëheshin bijëve dhe bijave më të mirë të popullit shqiptar që nga Lufta e Dytë Botërore. Burgosjet më të mëdha politike ishin bërë gjatë viteve 1964 dhe 1975 në krye me simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin me shokë, për të ardhur pastaj te burgosjet dhe ndjekjet masive të rinisë patriotike studentore të vitit 1981 dhe përfaqësuesve e udhëheqësve të organizatave patriotike ilegale. Është me rëndësi të thuhet se para  vitit 1981, gjatë vitit 1981 dhe pas vitit 1981, organizata më e fuqishme dhe më e përgaditur politike si për nga shtrirja, programi, diciplina organizative, veprimet konkrete dhe vizioni i saj, padyshim ka qenë Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK). Kjo u dëshmua më vonë sidomos me hartimin e tezave për themelimin e Frontit Popullor të cilat  shërbyen si busullë për bashkimin e masave popullore.deri te lufta çlirimtare e udhëhequr nga UÇK’ja.

 

Pamje nga demonstrata e 1 - 2 prillit 198, në Prishtinë.

 

Demonstratat e vitit 1981 dhe mërgata

shqiptare në Zvicër

 

     Viti 1981 mërgatën shqiptare e kishte gjetur pothuaj krejtësisht të papërgaditur. Pushteti i athershëm ish Jugosllav, përveq që i kishte degdisur anë e mbanë botës mijëra shqiptarë për t’a siguruar kafshatën e gojës, njëkohësisht kishte marrë të gjitha masat për t’i përqarë e asimiluar. Krahas punëve të rënda që bënën nëpër «baushtelle», kanale, bujqësi e restorante, në çdo hap përcilleshin e përgjoheshin nga pjestarët dhe bashkpunëtorët e UDB’së. Në vitet e 80-ta, shteti jugosllav nuk tregonte as interesimin më të vogël për t’i ndihmuar e bashkuar ata siç bënte me punëtorët tjerë joshqiptarë nga hapsirat e ish Jugosllavisë. Ndaj shqiptarëve në vazhdimsi ishte ndjekur një politikë perfide përqarëse me qëllim të nxitjes së vëllavrasjes e asimilimit. Si pjesmarrës aktiv dhe dëshmitar pothuaj i të gjitha zhvillimeve politike që nga organizimi i demonstratës së parë të 11 prillit 1981 në Bern, mund të konstatoj me përgjegjësi se ngjarjet e vitit 1981, mërgatën shqiptare në Zvicër, por edhe gjetiu në shtetet evroperendimore e kishin gjetur të paorganizuar e në masë bukur të madhe të dhënë pas jetës së shfrenuar të natës e të degjenerimit. Si rrjedhim kjo kategori e punëtorëve shqiptarë nuk ishte e vetëdieshme sa duhet për çështjen kombëtare shqiptare. Një pjesë jo e vogël e punëtorëve shqiptarë të viktimizuar nga politika dhe qëllimet antishqiptare veqmas të politikës serbe, nuk ndihmonin as familjet e tyre. Kishte të tillë që ndaheshin nga gratë shqiptare dhe martoheshin me serbe, kroate apo boshnjake, duke mos qenë të vetëdieshëm për pasojat që i sillnin vehtes, familjeve të tyre dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Pamje nga demonstrata e parë në Cyrih të Zvicrës, 18 prill 1981

 

     Sipas disa të dhënave jozyrtare, në vitin 1981, në Zvicër jetonin dhe punonin përafërsisht 15.000 deri 20.000 mijë shqiptarë nga Kosova dhe viset e saj nën Maqedoni, Kosova Lindore dhe Mali i Zi. Ndonëse shqiptarët përbënin komunitetin më të madh pas italianëve, ishte komuniteti më i paorganizuar dhe lënë pasdore krejtësisht. Në vitin 1981 në Zvicër ekzistonin mëse dyzet klube e shoqëri serbojugosllave dhe vetëm një klub dhe një seksion shqiptarë: Klubi «Liria» në Sibnen dhe seksioni «Përparimi» në kuadër të klubit serb «Slloga» të Cyrihut. Për më tepër edhe ndaj këtyre dy vendtakimeve të shqiptarëve, përfaqësitë diplomatike ish jugosllave në vazhdimsi mbanin çëndrim shatazhues. Atyre u pengonte fjala, kënga dhe tradita shqiptare, ndaj nuk lenin gurë pa lëvizur që këto dy vendtakime të shëndrroheshin në çerdhe spiunazhi  e diferencimi në shqiptarë të « ndershëm » në njërën anë dhe në «separatistë», «irredentistë» e «terroristë», në anën tjetër. Si të tillë, këta të dytët denocoheshin para organeve zvicrane të cilat gjatë kësaj kohe, u besonin ambasadave jugosllave dhe merrnin masa të ashpra për pengimin e veprimtarive të nduarndurshme me interes kombëtar. Një pjesë bukur e madhe e «nacionalistëve», «irredentistëve», «separatistëve» dhe «terroristëve», sipas kualifikimeve të diplomatëve ish jugosllav që përfaqësonin politikën zyrtare të ish Jugosllavisë, pas kthimit në Kosovë, burgoseshin ose u merreshin pasaportat. Faji i vetëm i tyre ishte pse ishin shqiptarë, pse donin ta ruanin gjuhën, kulturën dhe individualitetin kombëtar, pse lexonin ndonjë gazetë apo libër shqip. Punëtorët shqiptarë ishin të pabarabart e të diskriminuar edhe në fushën e shkollimit të fëmijëve. Derisa për nxënësit joshqiptarë, përfaqësitë diplomatike krijonin kushte dhe mundësi për hapjen e paraleleve shkollore pothuaj në çdo komunë, për nxënësit shqiptar nuk ekzistonte një mundësi e tillë, edhe pse politika zyrtare komuniste e asaj kohe thirrej në «bashkim-vllazërimin» dhe « barazinë e popujve » të kësaj krijese artificiale. Edhe ata tre-katër «mësues» shqiptarë që kishin ardhur nga Kosova për ti «mësuar nxënësit», manipuloheshin tmerrësisht nga ambasadat ish jugosllave për qëllime politike e spiunazhi. Në të shumtën e rasteve, këta  mësues paraprakisht përzgjidheshin nga familje lojale ndaj pushtetit dhe pastaj përgaditeshin nga segmente të veqanta të UDB’ës, për të luajtur rol të dyfisht gjatë çëndrimit jasht Kosovës. Njëkohësisht UDB’ja ish jugosllave, përveq komisarëve politik që dërgonte herë pas here në Zvicër me qëllime të caktuara, kishte arritur të krijonte një rrjetë spiunësh të cilët bashkpunonin me ambasadën dhe përfaqësitë konsullore të ish Jugosllavisë, duke përcjellur e denoncuar bartësit e çdo veprimtarie patriotike. Në këto rrethana të vështira në të cilat përcillej çdo hap e madje çdo fjalë e punëtorëve shqiptarë, falë veprimtarëve të organizuar në Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës, shpërndahej shtypi ilegal si «Liria», «Lajmëtari i lirisë », «Bashkimi», »Shqipëria e re», «Zëri i popullit» dhe libra të botuar në Tiranë.

Dëshmori Zijah Shemsiu dhe veprimtarët Hasan Malaj, 

Kadri Avdullahu dhe Nexhmedin Ahmetaj disa nga organizatorët

e demonstratave të vitit 1981 në Zvicër

 

     Në mungesë të një organizimi të mirëfilltë të shqiptarëve para demonstratave të vitit 1981, ambasadat ish jugosllave për çdo fundviti, kanë organizuar aty këtu ndonjë koncert me këngëtarë shqiptarë e serbë nga Kosova. Në këto koncerte kryesisht merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë, por edhe serbë të cilët në fakt me këngët që më tepër kishin karakter politik se sa argëtues shkaktonin paknaqësi tek publiku shqiptar. Pas demonstratave të Pranverës së Madhe të vitit 1981, pas gjakderdhjes që shkaktuan policia dhe ushtria serbosllave dhe pas burgosjeve e diferencimeve të mëdha politike, mërgata shqiptare në Zvicër, e udhëhequr nga Kadri Zeka, këto koncerte i shëndrroi në protesta dhe në përkrahje të parullës, «Kosova Republikë» ! Pas demonstratave të këti viti historik, shteti ish jugosllav, përmes misionarëve politik të Lidhjes Komuniste të ish Jugosllavisë, përpiqej me çdo kusht të deportonte në meset e punëtorëve, të mbanin tubime politike dhe të shtrinin rrjetin propagandistik e agjenturor me qëllim që të mbanin nën kontroll çdo lëvizje progresiste të tyre. Ata kërkonin dhe përpiqeshin me çdo kusht që përmes letrave e telegrameve, në emër të mërgatës shqiptare t’i dënonin demonstratat e vitit 1981 si «armiqësore» dhe « kundërrevolucionare », mirpo këti qëllimi nuk ia arritën asnjëherë.

     Mërgata shqiptare në Zvicër asnjëherë e veqmas gjatë dhe pas vitit 1981, nuk u përfaqësua drejtë nga ambasada dhe konsullatat ish jugosllave. Saherë që u është dhënë mundësia, ato kanë dezinformuar opinionin zvicran dhe korin diplomatik, duke i quajtur shqiptarët si njerëz të «pakulturë», «hajdutë» e « terroristë » që i përkasin fundametalizmit mysliman. Përfaqësitë diplomatike ish jugosllave nuk i ndihmuan punëtorët shqiptarë pa « ryshfet » as në rastet e fatkeqësive më të rënda familjare e as në rregullimin e dokumenteve. Ato kishin krijuar një rreth të vogël spiunësh shqiptarë të cilët kryenin punë me para apo kushtëzime politike dhe informonin për çdo lëvizje ilegale patriotike të shqiptarëve që kishte nisur nga viti 1978 nga një celulë e Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK), e udhëhequr nga dëshmori, Kadri Zeka në përbërje Hasan Malaj, Kadri Avdullahu dhe Halil Malaj, Zijah Shemsiu etj., e cila pastaj kishte dalur hapur në vitin 1981 me vendimin për organizimin e demonstratës së parë, të 11 prillit në Bern të Zvicrës. Demonstrata e parë e mërgatës shqiptare në Zvicër ishte në mbështetje të plotë të demonstratave gjithëpopullore në Kosovë. Ajo është organizuar nga ideologu dhe udhëheqësi i lëvizjes ilegale, Kadri Zeka që përfaqësonte Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK) bashkë me dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla si përfaqësues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare (LNÇKVSH) dhe Ibrahim Kelemendi në emër të Frontit të Kuq Popullor (FKP).

 

Tre udhëheqësit dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1981 në mërgatë: Dëshmorët Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka (Zeqa) dhe Bardhosh Gërvalla

 

     Parullat për demonstratën e parë në St.Gallen i ka shkruar dhe përgatitur, Kadri Zeka, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmetaj dhe Aqif Krasniqi. Në Cyrih parullat e para në gjuhën shqipe i ka shkruar Ismet Rashiti, ndërsa në gjuhën gjermane, Sarah Gretler. Në Gjenevë parullat e para në gjuhën shqipe dhe frenge janë shkruar nga Kadri Avdullahu, Jakup Halimi, Shyqeri Ukshini, Elfi Agushi e të tjerë. Në organizimin e demonstratës së parë në Bern kanë ndihmuar edhe këta veprimtarë:

 

Zijah Shemsiu,

Rrustem Mahmutaj që njihej si flamurtari i demonstratave, 

Hasan Kadriu,

Shahin Ajdini,

Rexhep Halimi,

Hasan Mala,

Kadri Avdullahu,

Nexhmedin Ahmetaj,

Saime Isufi,

Ismet Rashiti,

Jakup Halimi,

Qamil Isufi,

Qamil e Januz Salihu,

Elfi Agushi,

Selman Kllokoçi,

Arif Idrizi,

Hevzi Thaçi,

Ilaz Bajrami,

Hajdin Daka,

Rashit Rashiti,

Hajdar e Adem Sadrija,

Zahir Kamberi,

Shefket Musliu,

Ilaz Krasniqi,

Aqif Krasniqi,

Nazif Haziri,

Saqip Zymberi,

Ragip Rexhepi,

Kadri Rexhepi,

Gafurr Qalaj,

Ejup Ahmeti,

Enver dhe Zahide Avdullahu,

Shyqeri Ukshini,

Adem Islami,

Beat Schaffer,

Kathrin Asal,

Sarah Gretler e shumë të tjerë.

 

     Këtë demonstratë me pjesmarrje në mënyrë të organizuar dhe me parulla e ndihmuan edhe veprimtarë nga Gjermania e Belgjika, kryesisht nga Shtudgardi, Dyzeldorfi, Frankfurdi dhe Brukseli.

Pamje nga demonstrata e parë e punëtorëve mërgimtar në Zvicër,

organizuar më 11 prill 1981, në  mbështetje të kërkesave

gjithëpopullore në Kosovë

 

     Kërkesa për organizimin e demonstratës së parë ishte bërë me iniciativën e Kadri Zekës (Zeqës) në emër të miqëve zvicranë, Beat Schafer e Kathrinë Asal dhe të veprimtarit Hajdar Sarija. Fjalimin kryesor para pjesmarrësve të emocionuar e mbajti Kadri Zeka (Zeqa), ndërsa peticionin e parë drejtuar organeve më të larta shtetërore dhe partiake  të ish Jugosllavisë, bashk me Kadri Zekën e dorëzuan në ambasadën ish jugosllave, Rashit Rashiti dhe Beat Schafer. Në demonstratën e parë ishin të pranishëm rreth 300 bashkatdhetarë. Organizimi i kësaj demonstrate, e cila bëri jehonë jashtzakonisht të madhe, bëri kthesë  në vetëdijen kombëtare e organizative të mërgatës shqiptare. Pas demonstratës së parë të 11 prillit 1981, kudo në mesin e bashkatdhetarëve filloi një zgjim dhe vrull i paparë kombëtar. Gajtë vitit 1981 u organizuan edhe një varg demonstratash tjera në Zvicër, Gjermani e Belgjikë. Të gjitha këto demonstrata janë udhëhequr nga dëshmori i kombit, Kadri Zeka dhe janë ndihmuar në organizim dhe me shkrime nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Vetëm gjatë vitit 1981 janë organizuar tetë demonstrata në mbështetje të kërkesave që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptarë në Kosovë dhe viset e saj:

Përveç demonstratës së parë të  11 prillit 1981,

demonstrata të ngjajshme u organizuan,

më 18 prill 1981 në Cyrih,

më 25 prill 1981 në Shtudgard,

më 09 maj 1981 në Dyzeldorf,

më 16 maj 1981 në München,

më 30 maj 1981 në Gjenevë,

më 20 qershor në Bruksel,

më 04 korrik 1981 në Frankfurt.

 

Pamje nga demonstrata e parë e mërgatës shqiptare

në Bruksel, 20 qershor 1981

 

     Dalja në skenë e Kadri Zekës, i cili kudo njihej me pseudonimin « Zeqa », kishte bërë jehonë të madhe kudo në meset e punëtorëve shqiptarë. Kontaktet e para, shfaqja e filmave, takimet shqiptaro-zvicërane, tubimet dhe manifestimet tjera si në Cyrih, Gjenevë, Bern, Bazel, St.Gallen, bënë që në meset e punëtorëve të rritet vetëdija kombëtare, të rritet besimi në mes tyre, uniteti dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Falë punës së madhe dhe largpamësisë të dëshmorit, Kadri Zeka dhe bashkveprimtarët të tij, para dhe sidomos gjatë vitit 1981, brenda në Kosovë, u ndihmua lëvizja ilegale dhe u qartësua programi politik. Thënë shkurt, themelet e organizimit të pavarur të mërgatës shqiptare në Zvicër i vuri Kadri Zeka. Mbi këto themele pastaj, vit pas viti e dekadë pas dekade, janë themeluar organizime të shumta të shqiptarëve gjithnjë në funksion të lirisë dhe Pavarsisë së Kosovës. Nëse iu referohemi fakteve dhe dokumenteve arkivore që lidhen me ato vite, shohim qartë se që nga viti 1981 kishte dalur në skenë një plejadë e tërë veprimtarësh  në Zvicër të cilët i mbetën besnik mësimeve dhe idealeve të Kadri Zekës.

 

Pamje nga premiera e dramës, ”Pranvera e Madhe” të autorit, Ismet Rashiti, përgaditur nga grupi amator i klubeve ”Ikballe Prishtina” në Gjenevë dhe

”Asim Vokshi”në Lozanë me rexhi të Mustafë Xhemailit (1984)

 

     Nëse shikohen me kujdes shkrimet dhe fjalimet e  Kadriut para demonstruesve gjatë vitit 1981, vërehet qartë një filozofi politike që nuk e duronte nënshtrimin e popullit shqiptar para askujtë, që nuk e dëshironte luftën, po që në asnjë rast nuk e përjashtonte luftën çlirimtare. Sot, pas tri dekadash, nëse analizojmë me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Kadri Zekës para demonstruesve, shohim se nuk ka shkrim as fjalim të tij që nuk lidhet me luftën çlirimtare. Moto e Kadri Zekës ka qenë ”Rroftë lufta e drejtë e popullit shqiptar”! Jusufi, Kadriu e Bardhoshi kanë qenë të armatosur me dije, me  maturi e guxim. Ata kanë qenë njëkohësisht, atdhetarë të flaktë, ideolog të mëdhenjë, diplomatë të shquar, burrështetas të përgjegjshëm dhe luftetarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar. Ata ndjenin përgjegjësi për çdo fjalë e për çdo veprim. Ishin të kujdeshëm në veprimet e përditshme e shumë vizionarë për të ardhmën!

 

Disa nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981 në Zvicër

dhe themelues të Klubit ”Ikballe Prishtina” në Gjenevë

 

     Si bashkëpunëtorë të mirë që dinin t’i koordinonin veprimet e tyre të përbashkëta në interes të çështjes kombëtare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla ishin bërë simbol i unitetit, i mirëkuptimit dhe i bashkimit në mes njerzëve dhe organizatave të ndryshme politike të cilat synim kryesor kishin realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve:  ”Mbi gjithçka tjetër duhet të jet  çështja kombëtare, liria, pavarsia dhe bashkimi i tokave shqiptare në një shtet të vetëm”¨! Edhe pse u përkisnin dy organizatave të ndryshme, ata asnjëherë nuk reflektuan momente ndarëse para bashkatdhetarëve. Të gjitha thirrjet   për demonstrata bëheshin në emër të punëtorëve shqiptarë. Zëri i Kadriut, pena e Jusufit dhe puna vetmohuese e Bardhoshit  kanë qenë si një trup i vetëm dhe model i afrimit  e i unitetit në mes shqiptarëve. Ndaj qëllim kryesor kishin bashkimin rreth idealeve çlirimtare. Çdo fjalë e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit ishte bashkim. Çdo hap, çdo lëvizje që bënin dhe çdo mendim i tyre ishte bashkim. Edhe natën e errët të 17 janarit 1982, në Untergrupenbach, afër Shtudgardit, ishin bashk, duke biseduar për bashkimin e organizatave dhe krijimin e një fronti të fuqishëm gjithëpopullor për çlirimin e Kosovës. 

 

Tetë porositë programore të Kadri Zekës

drejtuar mërgatës shshqiptare në vitin 1981

  

     Duke pasur parasyshë ndihmën e madhe që mund të japin punëtorët mërgimtarë në Zvicër dhe kudo në shtetet evropiane si dhe përpjekjet e vazhdueshme që bënte UDB-a ish jugosllave për t’i përqarë e manipuluar me ta, dëshmori Kadri Zeka (Zeqa), në vitin 1981, iu drejtua atyre përmes një letre të hapur, e cila në fakt ishte një program politik për mërgatën shiptare, ku ndër të tjera kërkonte prej tyre:

     1. Të luftoni parreshtur e me të gjitha forcat derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë !

     2. T’i kundërshtoni me forcë dhunën dhe terrorin e pashoq që po e ushtron rexhimi mbi popullin e rininë tonë !

     3. Ta forconi pareshtur unitetin luftarak të radhëve tuaja !

     4. T’i përkrahëni e t’i ndihmoni me të gjitha mundësitë bashkatdhetarët që i kini në Kosovë !

     5. T’i zbuloni dhe ti demaskoni pa mëshirë ata elementë të shitur që e bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tuaja, që e bëjnë punën e agjentëve të fëlliqur, duke ju denoncuar te armiku !

     6. T’i sabotoni ato të ashtuquajtura « klube jugosllave të punëtorëve », që janë shëndrruar në qerdhe të rrezikëshme antishqiptare dhe në vend të tyre të formoni klube e shoqëri tuaja, të pavarura, kulturore, artistike e sportive !

     7. Të mos mashtroheni nga demagogjia dhe premtimet boshe të armikut, të mos u besoni shpifjeve dhe trillimeve boshe të tij !

     8. Mos lejoni që t’i humbëni gjuhën, kulturën dhe traditat tona të mira!

 

Udhëheqësi i demonstratave të vitit 1981 në mërgatë,

dëshmori Kadri Zeka (Zeqa)

 

     Këto kërkesa të cilat në fakt ishin shëndrruar në një program politik të mërgatës dhe veprimtaria e pandalëshme e atdhetarëve, tani dëshmorë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla kishin krijuar mundësi reale për një angazhim më të madh dhe konkret të punëtorëve shqiptarë. Kështu pra Klubi Shqiptar «Emin Duraku» në Dyzeldorf të Gjermanisë, i pari shkëputi lidhjet me ambasadën ish jugosllave, duke u pavarsuar plotësisht dhe duke hyrë në shërbim të çështjes kombëtare. Anëtarët e këti klubi të parët dolën hapur në mbështetje të kërkesës Kosova Republikë! dhe të gjitha kërkesave tjera që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar në ish Jugosllavi. Pas Klubit « Emin Duraku » filluan të themelohen edhe klube tjera të pavarura si:

    «Ikballe Prishtina» në Gjenevë,

    «Shota Galica» në Bulle,

    «Asim Vokshi » në Lozanë,

    «Ganimete Terbeshi» në Martigny,

    «Idriz Seferi» në Bruksel, ndërsa seksioni shqiptar «Përparimi» në Cyrih që vepronte në kuadër të klubit serb «Slloga», u shkëput dhe u formua si klub më vehte.

 

Pamje nga brenda e Klubit «Ikballe Prishtina», Gjenevë 1982

 

     Ndonëse formalisht kishte  lidhje me konsullatën ish Jugosllave, realisht i tëri ishte futur në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare. Udhëheqësit e tij pothuaj të gjithë mbanin lidhje apo ishin të organizuar në radhët ilegale të cilët nga pozitat ku ishin ndihmonin organizimin e demonstratave dhe shpërndarjen e shtypit ilegal si gazetën «Liria», «Lajmëtarin e lirisë», «Zërin e Kosovës», «Bashkimin»,  etj.

 

 

      Aty shpërndaheshin ftesat për demonstrata e protesta. Këtë gjë mbase e përcjellte konsulli ish jugosllav në Cyrih dhe për pasoj pas kthimit në Kosovë ishte burgosur dhe dënuar me pesë vjet burg kryetari i parë, Vehbi Kastrati e pastaj ishte ndjekur edhe Zejdi Ismaili e shumë veprimtarë tjerë.  Klubet e pavarura, tubimet me karakter informativ, shfaqja e filmave nga Shqipëria, traktet e njëpasnjëshme kanë luajtur rol jashtzakonisht të madh në ruajtjen dhe ngritjen e frymës kombëtare. Kryesisht në Zvicër, por edhe në Gjermani e Bruksel ishte formuar një plejadë veprimtarësh, e cila pavarsisht rrezikut kishte dalur hapur në përkrahje të  kërkesës Kosova Republikë!

 

Dy nga udhëheqësit e Klubit «Asim Vokshi» në Lozanë: Ismet Rashiti dhe

Eqrem Krasniqi, (me plis) anëtar të një celule në kuadër të LRSSHJ’së

 

     Duhet theksuar sidomos faktin se organizimi apo pjesmarrja e bashkatdhetarëve tanë në demonstrata ishte pothuaj e njejtë e rrezikshme me pjesmarrjen në demonstratat brenda në Kosovë. Hiq gazin lotësjellës dhe maltretimin e policisë speciale të Beogradit, dënimet ishin të njejta në mos më të mëdha. Ishin demonstratat e mërgatës shqiptare që nxorën në shesh politikën e egër antishqiptare të ish Jugosllavisë, e cila në atë periudhë gëzonte një «autoritet» para opinionit ndërkombëtar. Demonstratat e mërgimtarëve shqiptarë hoqën maskën nën të cilën kryheshin të gjitha aktet makabre antishqiptare të rexhimit të Beogradit. Shumë nga veprimtarët dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1981 në Zvicër, u rrezikuan dhe për gati dy dekada nuk u kthyen në Atdheun e tyre të dashur. Shumë prej tyre kishin lënë fëmijët e tyre jetim për së gjalli, shumë të tjerëve u vdiqnin prindërit e nuk kishin mundësi të shkonin t’u hedhnin një grusht dhe sipër, e kishte të tillë që vdiqën nga smundje të rënda e nuk patën mundësi të varroseshin në tokën e Kosovës së cilës i kishin falur pjesën më të mirë të jetës, siç ishte ta zëmë flamurtari i demonstratave, Rrustem Mahmutaj. Bashkëshortja e tij, Sabrija, në pamundësi që  ta përmbushte amanetin e tij për t’a varrosur në tokën e Kosovës, në rrethana të vështira, e kishte varrosur në Rashbull të Shqipërisë, ku edhe sot e asaj dite është  varri tij.

Flamurtari i demonstratave të vitit 1981

në mërgatën shqiptare.

 

 

Rrustem Mahmuti duke shkruar parullën,

« Rroftë Republika e Kosovës »! (1981)

 

     Kjo gjeneratë atdhetarësh gjatë viteve 1981-1999, në një formë a në një tjetër, përveq familjeve të tyre të cilat përkrahnin Republikën e Kosovës, e rrejedhimisht ishin rrezikuar e diferencuar nga pushtetmbajtësit,  mbante lidhje të vazhdueshme me miqë e organizata ilegale brenda dhe jasht Kosovës të cilat i furnizonin me literatur patriotike. Mund të thuhet lirisht se gjenerata e veprimtarëve të vitit 1981, organizatorët e demonstratave të ati viti historik, gjatë gjithë kësaj periudhe ishte në krye të organizimeve të shumta për Pavarsinë e Kosovës dhe bartëse e grumbullimit të ndihmave financiare për t’a mbajtur jetën gjallë në Kosovë, deri te furnizimi me armë e mjete tjera të nevojshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Por, duhet theksuar gjithsesi edhe faktin se si gjatë vitit 1981 dhe pas këti viti historik deri te çlirimi i Kosovës nga okupatori i egër serb, një numër jo i vogël i mërgatës shqiptare përgjatë dy dekadave ka qenë krejtësisht pasive. Kjo kategori e punëtorëve shqiptarë që bënë pjesë në mesin e njerzëve siç thuhet «as hajri i turkut as sherri i shkaut», nuk është dëshmuar me asgjë në asnjë fazë të përpjekjeve, sakrificave dhe zhvillimit të luftës çlirimtare për Pavarsinë e Kosovës. Çuditrisht m’u kjo kategori e njerzëve, tashmë pas çlirimit të vendit janë më të zëshmit dhe më rrahagjoksit për «patriotizëm». Sigurisht krejt kjo për t’a përmbushur me fjalë e demagogji nga më të ndryshmet boshllëkun e mosveprimit të tyre konkret! Nga Pranvera e Madhe e vitit 1981, atdhetarë të shumtë shqiptare, bashk me familjet e tyre në Zvicër, në çdo rast dhe në çdo kohë ishin krah popullit, krah të burgosurve politik dhe mbështetëse e fuqishme e të gjitha kërkesave që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saj. Një kontribut të madh gjatë gjithë kësaj periudhe e kanë dhënë edhe patriotë e atdhetarë të shumtë nga viset shqiptare nën Maqedoni, Kosovën Lindore, Malë të Zi si dhe miqë zvicranë të cilët nuk janë ndalur së vepruari që nga ajo periudhë e lavdishme.

 

(Kumtesë e lexuar në tryezën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë, mbajtur në Neuenhof të Zvicrës, më 06 mars 2011)

© Pashtriku.org

 

....

 

 

 

DEMONSTRATA E VITIT 1981

DHE NDIKIMI I TYRE NË ZGJIDHJEN

E ÇËSHTJES SË KOSOVËS

 

Mr.sc.Metush Zenuni, gjatë fjalimit në tribunë.

 

 

     Rezistenca aktive e shqipëtarëve kundër pushtuesit serb nuk ishte ndalur asnjëherë që nga viti 1912, kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë e saj, duke mbetur jashtë gjysma e trojeve të saj që më vonë u aneksuan me dhunë nga Jugosllavia. Kjo rezistence vazhdoi pa u ndalur edhe në LDB, por edhe pas përfundimit të saj. Lëvizja Ilegale në Kosvë me vise vazhdoi me Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Fazli Grejqevcin, per të ardhur deri në vitin 1968 me demonstratat masive në të gjitha territoret shqiptare.

     Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, janë ,,nyja” e historisë së shqiptarëve që mbetën në shtetin e ish’Jugosllavisë në përfundim të luftës antifashiste botërore. Me argumente të mjaftueshme është provuar se asnjë zhvillim tjetër i kësaj periudhe nuk mund t’i zëvendësojë këto ngjarje në funksionin e një nyjeje që mund të jetë e vlefshme për të qartësuar jo vetëm momentin historik kur ndodhën, por edhe parathënien dhe pasthënien e tyre. Në demonstratat e vitit 1981, për herë të parë, pas një shtypje të gjatë, jo vetëm në ish - Jugosllavi, por për të gjithë vendet e lindjes, po ndodhte një uragan i jashtëzakonshëm kombëtar: kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për herë të parë, pas shumë dekadash heshtjeje, pas shtypjes së vazhdueshme të regjimit policor UDB-ash e KOS-ist, dhe bartësve të tyre, një vend po zgjohej dhe po kërkonte të drejtën e tyre për të vetvendosur.

 

Pamje nga ndemonstrata e 1 - 2 prillit 198, në Prishtinë.

 

     Udhëheqja Komuniste e Kosovës dhe e Jugosllavisë, për ngjarjet e Pranverës së vitit 1981, akuzonin shtetin Shqiptar dhe udhëheqësin e saj Enver Hoxha. Në Kongresin e 8 të PPSH-së, të mbajtur më 1 nëntor 1981, Enver Hoxha, kishte deklaruar se Shteti Shqiptar e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë edhe në të ardhmen pjesën e kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi dhe kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Kjo është e drejtë e pamohueshme. Menjëherë pas demonstratave pasuan burgosjet masive, maltretimet dhe dënimet pjesëmarrësve dhe organizatorëve të demonstratave, të cilët u dënuan me qindra vite burg nëpër kazamatet e ish -Jugosllavisë. Grupet ilegale brenda dhe jashtë vendit kishin filluar të riorganizoheshin dhe kishin hedhur idenë e bashkimit të këtyre grupeve në një subjekt të vetëm politik të fuqishëm. Nga disa grupe ilegale që ekzistonin deri në fillim të demonstratave të vitit 1981, pas shkrirjes së tyre në një subjekt të vetëm politik arrihet të krijohet LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi).

     Ky subjekt politik kishte përfshirë në gjirin e saj thuaja të gjithë elementët anti Jugosllav dhe antikomunist që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Lëvizja ilegale e Kosovës edhe pese e dëmtuar rëndë pas arrestimeve që ndodhën në vitet 1982, 83 e në vazhdim, megjithatë arriti tu mbaj lidhjet e vazhdueshme të atdhetarëve rreth një qëllimi të vetëm për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Në kuadër të kësaj Lëvizje, në janar 1984, ranë heroikisht REXHEP MALA e NUHI BERISHA, ndërsa vitin 1985 në burgun e CZ në Beograd vritet nga torturat atdhetari ZIJA SHEMSIU.

 

 

     Viti 1989, që e majta në gjithë botën e kishte planifikuar për të festuar 200 vjetorin e revolucionit Francez, që thuhej se ishte periudha e fillimit të politikës radikale, u kthye në diçka tjetër, në një vit revolucionesh. Më 4 nëntor në Berlinin lindor marshuan mbi 1 milion vetë. Pesë ditë më vonë muri i Berlinit që ndante Gjermanët ra. Më 24 nëntor pas demonstratave në Pragë udhëheqja komuniste dha dorëheqje, dhe më pas Vacllav Haveli u zgjodh President.

     Kriza politike dhe ekonomike në Jugosllavi, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Juglindore, kishte ndodhur shumë më parë se në vitin 1989. Demontratat në Kosovë vazhduan, ndërsa tensionet në mes të Serbisë dhe Republikave tjera u bënë intenzive. Sllovenia dhe Kroacia përgatiteshin të dilnin nga Federata. Në fakt, shqiptarët qysh në vitin 1981, kishin filluar të parët shkatërrimin e Jugosllavisë me demonstratat e tyre të njohura, por tani ishte një situatë krejt tjetër dhe ata më lehtë kuptoheshin nga popujt e Republikave të tjera në Jugosllavi.

 

     Në vitin 1989 me Lëvizjen illegale udhëhiqnin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Fahri Fazliu etj. Më 2 nëntor të këtij viti, pas një demonstrate të suksesshme në Prishtinë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu rrethohen në Bregun e Diellit në Prishtinë, për tu rënë heroikisht, ashtu siç ishin betuar para flamurit dhe para shokëve të idealit. LPRK, e dëmtuar shumë nga burgosjet dhe rënia e dy udhëheqësve të saj Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, si dhe vdekja e udhëheqësit tjetër, Fadil Vata, u ndodh para situatave sfiduese. Ajo ishte bartëse e aktivitetit ilegal në Kosovë dhe viseve shqiptare në Jugosllavi, prandaj duhej angazhim dhe vizion i shumëanshëm për të qenë në ballë të kërkesave të kohës. Më 23 dhjetor 1989 u formua LDK, pastaj Partia Fshatare e Kosovës-PFK, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës - PSHDK, Partia Social Demokrate e Kosovës - PSDK etj. Formimi i partive legale me orientim demokratik fillimisht ndihmoi preceset politike në Kosovë.

     Ngjarje tjetër me rëndësi në Kosovë në këtë periudhë isht Pajtimi i gjaqeve. Ideja për pajtimin e gjaqeve ka lindur nga një grup i studentëve të burgosur në proceset e njohura politike pas demonstratave të vitit 1981, pas lirimit nga burgu të një pjese të tyre. Nismëtarët e parë të pajtimit të gjaqeve kanë qenë veprimtarët e LPRK’së:

 

Adem Grabovci,

Hava Shala,

Ibrahim Dreshaj,

Lulëzim Etemaj,

Myrvete Dreshaj,

Nurije Zekaj,

Flamur Gashi,

Ramë Buja,

Akile Dedinca,

Naser Veliu,

Ibish Neziri,

Jashar Salihu,

Bajram Kurti,

Serbeze Vokshi.

 

     Aksioni për pajtimin e gjaqeve, bëri jehonë të madhe në tërë Kosovën dhe viset shqiptare, si një e keqe, e cila duhej larguar njëherë e përgjithmonë.

     Në përkrahje të çështjes së pa zgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi, dhe demonstratave që po ndodhnin në Kosovë, i dhanë me të madhe edhe gurbetqarët të cilët të ikur nga ndjekjet e pushtuesit serb jetonin në shtetet perëndimore. Që nga demonstrata e Bernit në vitin 1981, organizuar nga Kadri Zeka e deri në Mars 1998, atdhetarët shqiptar në mërgim nuk rreshtën as një ditë së vepruari në i interes të çështjes kombëtare.

 

Dhuna e njësisë speciale serbe mbi protestuesit paqësorë - 1989

 

     Demonstratë shumë me rëndësi është demonstrata dyjavore nga 19 maj e deri më 02 qershor 1990, para selisë së OKB’së në Gjenevë.Nga kjo demonstratë, ku morën pjesë mbi njëqind mijë mërgimtarë, një peticion me 23.800 nënshkrime për njohjen e të drejtave të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë iu dërgua Sekretarit të OKB’së, z. Peres De Kuelar, Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Asamblesë së përgjithshme të OKB’së etj. Në peticion, njoftoheshin për terrorin, vrasjet, shpërnguljet e shqiptarëve dhe burgosjet që ka bërë e po bën Jugosllavia nga viti 1945 e deri në vitin 1990.

     Gjatë viteve 1991-1992, në Kosovë, represioni shtetëror u rrit në mënyrë dramatike. Vrasjet, kindapimet, rrahjet dhe torturat, burgosjet e disidentëve politik dhe aktivistëve, mbylljet e shkollave dhe institucioneve kulturore ishin bërë përditshmëri. Grupet ultranacionaliste paramilitare, të sponzoruara nga Millosheviqi, ishin dërguar në Kosovë për të kërcënuar dhe terrorizuar popullatën shqiptare. Pas gjithë këtyre atdhatarët shqiptarë në Kosovë dhe Lëvizja illegale e shihnin se me mjete paqësore nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës, prandaj ata filluan që të përgatiteshin për një luftë tu armatosur.

     1. Formimi i UÇK’së

     Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka rrënjët e saj te organizatat nacionaliste, të cilat vepruan në fund të viteve‚ 70’ta, tek demonstrata e vitit 1981, e veçanarisht te LPRK’ja, e cila u krijua në vitin 1982. Rënia heroike e Naser Hajrizit më 1981, e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës më 1984, e Zija Shemsiut më 1985, e Bajram Bahtirit, Bedri Sokolit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 1989, e Ali Ajetit, Hasan Ramadanit, Arif Seferit e shumë të tjerëve, i kishte nxitur veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare që lufta të vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare.  Aksionet e armatosura të njësiteve guerile gjatë viteve 1991, 1992, 1993, janë parahistoria dhe provë për formimin e UÇK’së. Aksione te kohë pas kohshme pati thuaja në të gjitha rajonet, qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Aksionet e para të kryera në Kosovë dhe ato të mëpastajmet, nuk u panë me sy të mirë, nga politika pacifiste, e cila ende kishte ndjenjën iluzioniste të bërjes së lirisë. Anatema për UÇK’në dhe veprimet e saj, fatkeqësisht, ishte shumë prezente në një pjesë të subjektit politik të Kosovës të asaj kohe.  Ashtu siç u quajtën të parakohshme dhe u anatemuan nga udhëhqja Komuniste e Kosovës, demonstratat e vitit 1981, poashtu u anatemua dhe u etiketua edhe dalja në skenë e UÇK’së, nga udhëheqësit e politikës pacifiste të Kosovës. Ideja për emërimin e ushtrisë, UÇK është realizuar nga sektori i veçant i LPRK’së, në prill të vitit 1993, në Kollare të Kërçovës dhe më 28 -29 korrik 1993, në ,,Kodrën e Trimave" në Prishtinë, në MKP të LPRK’së, ku u mor vendim për kalimin në fazën e organizimit të luftës së armatosur.

 

Ulur: Adem Jashari dhe Rexhep Selimi,

Në këmbë: Mujë Krasniqi'Kapuçi dhe Xheladin Gashi'Plaku.

 

     2. Konferenca e Daytonit 1995

     Kthesa e madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës u bë veqanarisht pas Konferencës së Daytonit, në nëntor 1995,e cila i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa shqiptarët e kuptuan përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë. Në këtë Konferencë çështja e Kosovës dhe konflikti shqiptaro - serb, edhe pse ishte folur shumë herë, u anashkalua dhe prej aty filloi zhgënjimi dhe mosbesimi në rezistencën paqësore. Në Dayton, vëmendja kryesore u përqëndrua në arritjen e një zgjidhje paqësore për konfliktin serbo - kroato - boshnjak. Në këtë mënyrë Marrëveshja e Daytonit solli pasoja të rënda për zhvilllimet në Kosovë. Përgjigjien më të duhur, për mospraninë e çështjes së Kosovës në Dayton e kishte dhënë, Rudolf Perrina, shef i Misionit diplomatik të SHBA-ve në Beograd, dhe pjesëmarrës në Konferencën paqësore për Bosnje e Hercegovinën në Dayton. Pyetjes së gazetarëve se ,,pse në Dayton nuk u hap çështja e Kosovës“? iu përgjigj: ,,Në Dayton janë ftuar ata që kanë luftuar“.

     3. Demonstratat e Studentëve 1997

     Vitet 1996- 1997, ishin vite të zhvillimeve të mëdha në trojet shqiptare. Më 1 shtator 1996 Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova nënshkroi dogovorin (marrëveshjen) me Kryetarin e Sërbisë, Sllobodan Millosheviq për ,,përmirësimin“ e kushteve të arsimit në Kosovë. Më 31 janar 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë vriten tre udhëheqësit e UÇK’së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në Mars 1997, në Shqipëri, ndodhën revoltat e mëdha të qytetarëve kundër skemave piramidale, duke e sjellur shtetin shqiptar në një kaos politik dhe ekonomik, por duke sjellur edhe pasiguri dhe viktima të shumta. Megjithë anët negative, këto revolta ndikuan që ushtarëve e UÇK’së, t’u krijohen mundësi më të mëdha për furnizim me armatim dhe mjete tjera të nevojshëm për luftë. Në anën tjetër, në Kosovë, pushtuesi serb, për çdo ditë ndërmerrte masa të egra represive kundër popullit të pa mbrojtur të Kosovës, veçanarisht kundër veprimtarëve të LPK’së dhe LKÇK’së, të cilët ishin të organizuar në radhët e UÇK-së. Ngjarje me rëndësi per Kosovën ishin demonstratat e studentëve më 1 tetor 1997. Këto demonstrata ishin vazhdimësi e demonstrative të vitit 1981. Edhe kësaj radhe si në vitin 1981, kundër studentëve ishte LDK’ja, vazhduese e politikës së LKJ’së.

 

 

     Pos demonstrative të studentëve, aksionet e armatosura të njësiteve të UÇK’së gati në të gjitha pjesët e Kosovës, arrestimi i një pjese të udhëheqësve të UÇK’së, rënia heroike e Ardian Krasniqit, më 15 tetor 1997 dhe ngjarjet që rrodhën gjatë periudhës së dytë të vitit 1997, në Prishtinë, sollën një gjendje të re politike në Kosovë dhe Shqipëri, por ato e ndryshuan edhe gjendjen organizative dhe logjistike të UÇK’së. Pak javë pas rënies së Ardian Krasniqit, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt, tre ushtarë të UÇK’së: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, zbresin nga malet e Drenicës dhe u thonë popullit të tubuar në varrimin e mësuesit Halit Geci se ,,ka dhe do të ketë UÇK’së, derisa të çlirohet Kosova nga Serbia" se ,,Serbia po vret dhe po masakron shqiptarët dhe UÇK është e vetmja forcë që lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar“. Dalja publike e UÇK-së ktheu besimin e popullit se kësaj radhe është një forcë që do t’i dalë zot vendit. Edhe mesazhi ishte i qartë se ushtarët e UÇK-së janë të gatshëm të sakrifikohen për ta fituar lirinë.

     Fillimi i luftës së armatosur në Kosovë 1998

     Në pranverën e hershme të vitit 1998, vatër e rezistencës dhe qëndresës heroike ishte prapë Drenica. Robert Geldbard në një nga takimet e tij më 23.02.1998, me Kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova në Prishtinë, publikisht e akuzoi “UÇK-në si organizatë terroriste”, ndërsa kërkonte forcimin e lidershipit politik të moderuar. Natën e 4 dhe 5 marsit 1998, forca të mëdha policore e ushtarake e kishin rrethuar Prekazin dhe lagjen e Jasharajve, ku sipas tyre, fshihej Adem Jashari me çetën e tij. Ndonëse skajshmërisht të pabarabart, pas tri ditë e tri net luftimesh e rezistence të armatosur ranë heroikisht komandanti Adem Jashari dhe 55 dëshmorë të lirisë, prej tyre u flijuan edhe gra, fëmijë dhe pleq. Lufta heroike e Jasharajve pushtoi të gjitha mediat dhe vuri në lëvizje politikën botërore.

 

 

     4. Konferenca e Rambujesë

     Edhe përkundër luftimeve të pa ndërprera në Kosovë mes UCK’së dhe forcave serbe, deri në masakrën e Reçakut më 15 janar 1999, Bashkësia Ndërkombëtare dhe NATO’ja ende ngurronin për të vepruar ushtarakisht dhe ende nuk ishte e vendosur kundrejt barbarive serbe. Pas kësaj masakre ajo më në fund u bind se çështja e Kosovës do zgjidhje politike dhe filloi t´i intestifikojë përpjëkjet për organizimi i Konferencës së Rambujesë.Më 6 shkurt 1999, filloi në Rambuje afër Parisit Konferenca e Paqës.Baza e këtyre negociatave ishte një propozim, i ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni Cristofer Hill. Ky plan përmbante një tërësi të detajuar të aranzhimeve kushtetuese të autonomisë së Kosovës. Pjesa e parë e bisedimeve në Rambuje zgjati deri më 23 shkurt. Vazhdimi i Konferencës së Rambujesë në Paris zgjati nga 14 - 19 mars 1999. Pala serbe i mbeti besnike mospërfilljes dhe mosbashkëpunimit me ndërkombëtarët, veçanarisht me SHBA’të dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen. Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë u nënshkrua vetëm nga pala Kosovare. Si rrjedhojë e mosnënshkrimit nga pala serbo - jugosllave, pas kësaj do të pasojë intervenimi i NATO’s më 24 mars 1999, i cili do të kurorëzohet fillimisht me planin G8, të cilin më 3 qershor e ka miratuar Parlamenti i Serbisë dhe presidenti Millosheviq dhe më pas me Rezolutën 1244 të KS të OKB’së, më 10 qershor 1999. Demonstratat e filluara nga Lëvizja Ilegale dhe studentët në vitin 1981, përfunduan me organizimin e luftës së armatosur të viteve 1998/99 dhe me çlirimin faktik të Kosovës nga forcat okupatore të Sërbisë. Përderisa në vitin 1981, demonstratat e studentëve në Prishtinë ishin paralajmërimi për rënien e sitemit komunist në Evropën Juglindore, në vitin 1999, Kosova ishte vendi i fundit në Europë që po çlirohej përmes luftës së armatosur. Edhe përkundër tri luftrave çlirimtare që organizoi Lëvizja illegale në ish -Jugosllavi, ato ende mbetën të ndara die ende nuk u realizua qëllimi përfundimtar:

 

- BASHKIMI KOMEBTAR! -

 

* ) Autori është Kryetar i Klubit Politik ,, Afrim Zhitia“ Prishtinë

 

( Kumtesë e lexuar më 06 Mars 2011, në Zurich - Zvicër, në tribunën shkencore kushtuar 30 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981. )

 

Biografia

 

Metush Tefik Zenuni

 

     U lind më 06 shkurt 1970 në fshatin Duraj të Kaçanikut. Shkollën e mesme e ka kryer në Kaçanik, ndërsa Fakultetin Filozofik - Dega Histori në Prishtinë. Në vitin 2009 ka magjistruar në Histori Bashkëkohore. Nga viti 1988 - 1991, ka vepruar në kudër të LPRK’së në Kaçanik, ku ka organizuar disa demonstrata kundër pushtuesit Jugosllav. Në janar 1990 është arrestuar si organizator i demonstratave në Kaçanik. Në shtator 1991, në Elezaj ka formuar Grupin Letrar ,,Fazli Greiçevci” dhe ka nxjerrur tre numra të fletushkës ,,Lajmëtarët e Lirisë ”. Nga viti 1992 -1998, ka jetuar në Friburg të Zvicrës, ku ka vepruar në K.Rr të LPRK’së dhe në fondin ,,Vendlindja Thërrret”. Në dhjetor 1997 ka botuar librin me poezi ,,Puthje në ëndërr”. Maj 1998 - qershor 1999 është kthyer në Kosovë në radhët e Ushtrisë Clirimtarë të Kosovës. Qershor - dhjetor 1999 ka punuar gazetar korrespodent në Agjensinë e Lajmeve ,,KOSOVAPRESS”. Shkurt 2000 - dhjetor 2003 ka qenë Shef i Zyrës për Informim i LPK’së në Prishtinë, ndërsa Kryetar i LPK’së në Kaçanik, anëtar i Kryesisë dhe zv.sekretar i Përgjithshëm i LPK’së në Prishtinë deri në Mars 2006. Maj 2005 - qershor 2008 ka qenë Zëdhënës në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave në Prishtinë. Në vitin 2007, ka specializuar në Shkollën Londineze për Marrëdhënie Publike në Lublanë të Sllovenisë. 2008 - 2010 Sekretar i Përgjithshëm i Klubit Politik ,,Afrim Zhitia” Prishtinë. Aktualisht ështe Kryetar i Klubit Politik ,,Afrim Zhitia” Prishtinë. Ka shkruar disa shkrime dhe artikuj për luftën e UCK’së, kumtesa, shkrime dhe analiza të ndryshme me karakter Politik dhe Historik në gazetat ,,Zëri i Kosovës“, ,,Rilindja“, ,,Epoka e Re“, ,,Zëri“ etj. Jeton në fshatin e lindjes në Duraj -Kaçanik, me gruan dhe 4 fëmijë.

 

Kontakti: zenuni.metush@gmail.com  Kosovë: 044 115 358,

Zvicër: 076 732 1885

 

© Pashtriku.org

..

 

 

 

 

NË PRAG TË 30 VJETORIT TË NGJARJEVE TË VITIT 1981

 

T R I B U N Ë

KUSHTUAR DEMONSTRATAVE 

TË VITIT 1981

 

  Në 30 vjetorin e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981 të organizuara nga në Kosovë dhe mërgatë, Këshilli Organizativ në Zvicër, (për shënimin e këtyre ngjarjeve historike), organizon tribunë. Tribuna mbahet më datën 06 mars 2011 në restorant Pizzeria POSTHOF, Zürcherstr. 164, 5432 Neuenhof (Afër Wettingenit). Me këtë rast Këshilli Organizativ fton të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të paraqiten në tribunë me punimet e tyre të lajmërohen sa më parë në këta numra telefoni:

++41 79 290 94 92, ++41 76 266 75 14 dhe ++41 76 203 02 21

Afati i fundit për dorëzimin e kumtesave është data 27. 02. 2011.

 

    Opinioni shqiptar me kohë është informuar se në Zvicër disa muaj më parë është themeluar Këshilli Organizativ për Shënimin e 30 Vjetorit të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe Mërgatë. Në kuadër të veprimtarisë së vet, ky këshill, veç tjerash ka paraparë organizimin e një tribune në të cilën me referate e kumtesa do të flitet rreth rëndësisë politike-historike të ngjarjeve të Pranverës së Madhe 1981. Tribuna është e hapur për të gjithë veprimtarët, publicistët, historianët, pjesëmarrësit e demons - tratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë si dhe për të gjithë krijuesit e artistët shqiptarë dhe të huaj, punimet e të cilëve do të hedhin dritë mbi ngjarjet e vitit 1981.

     Temat janë të lira, por duhet të jenë domosdoshmërisht të lidhura me demonstratat e vitit 1981 si për shembull:

·       Si u organizuan këto demonstrata?

·       Rëndësa e tyre politike dhe historike,

·       Pjesëmarrja e femrës shqiptare në këto demonstrata,

·       Ndikimi  i  organizatave ilegale në demonstrata,

·       Ndikimi i literaturës dhe shtypit nga Shqipëria,

·       Roli i mërgatës shqiptare në përkrahje të këtyre demonstra -  tave,

·       Demonstratat e bashkatdhetarëve gjatë vitit 1981 nëpër botë  Portrete të veçanta të demonstruesve të vrarë e të plagosur, Protagonistë  të veçantë  të këtyre ngjarjeve,

·       Pse këto demonstrata u shpallën kundërrevolucionare,

·       Cili ishte vlerësimi politik i këtyre demonstratave nga organet shtetërore dhe partiake të asaj kohe në Kosovë e ish - Jugosllavi,

·       Numri i të burgosurve politikë si dhe shumë tema tjera të ngjashme që nuk dalin në asnjë mënyrë përtej ngjarjeve të vitit 1981.

     Lidhur me këtë është formuar Komisioni për Vlerësim dhe Redaktim, i cili kërkon nga të gjithë referuesit që të bazohen në fakte, shifra dhe ngjarje konkrete të asaj periudhe historike. Kumtesat gjithsesi duhet të mbështeten në realitetin e kohës, pa më të voglin pretendim për t’i zvogëluar apo rritur ato. Me një fjalë, kriter kryesor për leximin e kumtesave  e referateve dhe pastaj botimin e tyre në një libër të përbashkët që do të botohet në 30 vjetorin e këtyre ngjarjeve, do të jetë argumenti dhe fakti historik. Përshkrimet, fyerjet, të pavërtetat, lëvdatat e panevo -  jshme, inatet, lokalizmat,  pikëpamjet politike e partiake në asnjë rast nuk do të lejohen të jenë tema diskutimi a referimi. Ndaj, kërkojmë me rigozitetin më të madh që gjithçka që shkruhet të jetë e mbështetur në fakte, mundësisht e shoqëruar me foto, zë autokton, faksimile dorëshkrimesh dhe fusnota. Me këtë rast Këshilli Organizativ fton të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të paraqiten në tribunë me punimet e tyre të paraqiten sa më parë në këta numra telefoni:

 

079 290 94 92, 076 266 75 14, 076 203 02 21

Afati i fundit për dorëzimin e kumtesave është data 27. 02. 2011.

Tribuna mbahet më datën 06 mars 2011 në restorant

Pizzeria POSTHOF, Zürcherstr. 164, 5432 Neuenhof

(Afër Wettingen-it)

_________________________________________________________________________________

Ismet Rashiti, Zvicër - 20. 02. 2011

 

….

 

 

 

Në 29 vjetorin e rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës

 

NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT

 

 

powered by Beepworld