Në 30 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të nxënësve në Kijevë, paralele

e ndarë e shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës. 

 MARSI SHQIPTAR I KOSOVËS

 

 

Shkruan: Prend Buzhala ( * )

 

( Aspekte të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë viteve ’80 e këndej në rajonin e Llapushës )

 

     Gjithçka nis me marsin shqiptar të Kosovës.

     Cili është ky mars?

     Dhe përse Marsi?

     Sa e sa kulte qëndrese e luftarake janë ngritur që nga epoka ilire e deri te lufta e fundit çlirimtare në Kosovë. Marsi, kjo perëndi e luftës, shfaqet si SHENJË SHQIPTARE e historisë moderne. Ky mars nisi shembjen e një perandorie të quajtur Jugosllavi. E nisi pa asnjë armë në duar, po vetëm me armën mbi të gjitha armët, atë armën e pamposhtur që është shpirti liridashës i ideve liridashëse dhe të vetëflijimit shqiptar. Shtigje që rrugëtuan deri te kryengritja paqësore e viteve ‘90 dhe që kulmoi me luftën e popullit shqiptar në krye me UÇK'në. Është një mars që nisi një epokë dhe bëri një epokë... që u shtri nëpër qytete e fshatra, nëpër shkolla e vendpunishte e fabrika, sidomos nëpër shkolla, pothuajse kudo nëpër familjet shqiptare.

      (Pamja e Kijevës dhe SH.M "Luigj Gurakuqi"...)

     Të rralla janë shkollat, si kjo e Kijevës, që ruajnë në historinë e saj më të re, kaq shumë emra krenarie dëshmorësh, qofshin ata emra mësimdhënësish që kanë punuar në këtë shkollë apo nxënësish që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, sikundër janë: Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi, Mirush Dakaj, Beqir Sefë Gashi, Mentor Gashi, Rasim Maloku, Mehedin Morina, Muhamet Haxhaj, Ahmet Pantina, Nazmi Bashota, Gani Paqarizi, Adem Morina, Bajram Gashi, Ramadan Brahim Morina, Tahir Kryeziu, Liman Gegaj, Hazir Kryeziu, Aziz Gashi, Kadri Gashi, Agim Hasanaj. Sefer Morina, Ramadan Halil Morina, Shefqet Hasanaj, Riza Salihaj, Rexhep Morina, Islam Manaj, Hysen Pantina, Sylë Balaj, Milazim Balaj, Selman Gashi, Remzi Veseli, Gani Zogaj, Qaush Dakaj, Refki Salihaj, Bajram Rexhepaj, Sinan Morina dhe Ymer Daut Krasniqi, ish’nxënës të burgosur e të vrarë, janë edhe Ismet Sefë Mleqani (i burgosur gjatë viteve - 80, RAPSOD e student) dhe Agim Shala (Ujëmirë, i burgosur si nxënës dhe i rënë dëshmor në luftën e UÇK’së).

     Kësaj radhe, është një përpjekje modeste për t’i shpaluar disa aspekte të lëvizjes kombëtare shqiptare në rajonin e Llapushës, e cila përfshin komunën e Malishevës, pjesën lindore të komunës së Klinës me 12 fshatra, si dhe pjesë të komunave fqinje të Malishevës. KOSOVA PO PËRJETONTE një Rilindje, nga njëra anë: me hapjen e shkollave të mesme, më themelimin e Universitetit të Prishtinës, me zhvillimin e rrjetit rrugor, të industrisë, tëe punësimit, të krijimit e ndërtimit tq qyteteve etj. Lidhjet me Shqipërinë ishin vënë në lëmin e arsimit e të kulturës. Mendohej që vetëqeverisja jugosllave do të shembte regjimin stalinist në Shqipëri, ose regjimi komunist shqiptar do ta demaskonte regjimin komunist jugosllav, që ishin në armiqësi ideolo9gjike.

     Por në Kosovë triumfoi LËVIZJA KOBMËTARE, e cila e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, e ktheu vëmendjen e Evropës edhe kah Kosova edhe Shqipëria e Jugosllavia., e demaskoi parajsën jugosllave të rrejshme të vetëqeverisjes për barazinë midis kombeve. Evropa që atëherë i vlerësoi demonstratat me objektivitet, ndërsa Rusia komuniste, sikur edhe sot, ishte nën anën e Serbisë. Atëbotë, Jugosllavia ishte si vendi më i hapët e më i liberalizuar nga vendet ish-komuniste. Ishin mijëra punëtorë shqiptarë që punoj në mërgim, si sot, dhe prej andej sillnin modelet e jetës, të zhvillimit e të kulturës, si sot, investimet për familje e për Kosovën, si sot... dhe një model tjetër nga parajsa komuniste e socialiste, atë demokratik, si sot... Kosova ishte e para që po e evropianizonte kombin shqiptar. Sepse ish të përndjekurit nuk strehoheshin në vendet e parajsës së rrejshme komuniste - as në Moskë, as në Beograd, as në Kinë, po në Evropën perëndimore e demokratike, si sot... e cila gjithmonë iu ka bërë konak shqiptarëve, me strehim e punësim...

 

     1.

     Ç’është e vërteta, gjatë viteve ’80 nuk ekzistonte komuna e Malishevës, dhe pjesë të tëra të kësaj komune i takonin Klinës. Ndërkaq, qendra e të tëra lëvizjeve në këtë rajon, ka qenë Kijeva e sotme, më saktësisht, shkolla e mesme “Luigj Gurakuqi” e Kijevës, si paralele e ndarë e shkollës së mesme të Klinës. Klinës. Mjafton të përmendet fakti se janë 38 emra dëshmorësh të UÇK'së, që kanë qenë nxënës të kësaj shkolle. Nga kjo shkollë dolën figura atdhetare, që më vonë ishin drejtues të UÇK’së, si Azem Syla e Sokol Bashota, ky rajon kishte pesë drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, apo figura të dalluara si Gani Kransiqi, Halit Krasniqi e të tjerë, komandantë e dëshmorë, si Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi, Mirush Dakaj e qindra të tjerë të rënë e të martirizuar. Nuk ishte e rastit, kur në verën e vitit 1998, vetë Hollburk, nga kreu u SHBA’ve, thoshte se Kijeva ishte vendi më i rrezikshëm në Evropë. Por kështu e tillë Kijeva ishte edhe më 1981! Sepse këtu, ishte paralajmëruar një rrugë e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës. Në mars-prillin 981, kur regjimi jugosllav menduan se e shuan lëvizjen e demonstratave e të protestave studentore e shqiptare, pikërisht më 20 maj 1981 u dëshmua diçka tjetër pikërisht në Kijevë; ishin javë të tëra që u deshën për t’u përgatitur ato demonstrata. dhe barrën kryesore e morën vetë nxënësit, ani se aty nuk mungonte as angazhimi i mësimdhënësve.

     (Mujë Krasniqi, i pari nga e djathta...)

     Në ditën e 20 majit të atij viti historik, nxënësit ishin rreshtuar për të hyrë në klasë. Në atë moment mungonte profesori kujdestar për të përcjellë nxënësit në mënyrë të organizuar nëpër klasat e veta. Për këtë arsye, nxënësit u nisën vetë: një grup nxënësish u organizuan shpejt e shpejt dhe u nisën në drejtim të hyrjes së shkollës. Ishin organizuesit e shumë e shumë aksioneve atdhetare këta... Menjëherë të gjithë nxënësit, kryesisht të viteve të dyta, iu bashkëngjitën këtij grupi për t'u nisur drejt rrugës kryesore, dhe për të qëndruar tek rruga e fshatit, që atëherë quhej stacioni i autobusëve. Mandej tyre iu bashkëngjitën edhe nxënës të viteve të tjera dhe qytetarë. Në ndërkohë informohet policia e atëhershme, e cila arrin me shpejtësi, së bashku me të gjitha me të gjitha strukturave politike të komunës së Klinës,meqë atëherë Kijeva ishte qendër e bashkësisë lokale të komunës së Klinës, kurse ende Malisheva nuk ishte qendër komunale. Së Bashku me nxënësit, gjatë gjithë kohës, kanë qëndruar mësimdhënësit Azem Syla dhe Prend Buzhala... Mandej, pranë nxënësve erdhën edhe arsimtarë të tjerë.

     Kishte disa orë që kreu politik po bënte përpjekje për t'i bindur nxënësit të kthehen në shkollë dhe për të biseduar në qetësi, por pa sukses. Mirëpo, pikërisht në ato çaste demonstruesit filluan të brohorasin parullën Kosova Republikë, e cila atëherë ishte e dënueshme, për regjimin pushtues jugosllav, dhe parulla të tilla, armiqësore, e kishin shpallur edhe kreu politik i Kosovës dhe kreu i qendrave komunale. Ishin politikani shqiptar, polici shqiptar, gjyqtari shqiptar dhe prokurori shqiptar që e zbatonin politikën e Serbisë kundër kërkesë për Kosovën Republikë. Demonstrimi zgjati edhe për dy orë të tjera, ndër të cilat brohoriteshin parullat: Kosova republikë, Nuk jemi jugosllavë, jemi shqiptarë, Trepça punon Beogradi ndërton, Kush nuk bashkohet, është tradhtar etj. Pa përfunduar demonstrata, një grup policësh të njësive speciale serbe, e kombinuar fatkeqësisht me njësi elite shqiptare, përdori dhunën duke keqtrajtuar fizikisht një numër të konsiderueshëm të nxënësve. Por edhe vendosmëria e nxënësve ishte e madhe, të cilët tashmë kishin vetëdijen se po bënin diçka të madhe për atdheun, krenarë se kishin arritur që të bëjnë diçka për atdheun e vet.

 

     2.

     Menjëherë filluan edhe arrestimet e para: u arrestua profesori Azem Syla dhe nxënësit Haki Morina (organizatori kryesor i demonstratës), Servete Krasniqi (motër e Xhevë Krasniqit - Lladrovcit), Sabrije Krasniqi, Nurie Foniqi, Tafil Morina dhe Hajdar Morina. Ishin rreth 60 nxënës të tjerë që morën masa dënimi për largim nga shkolla, si dhe dënime të tjera, marrje në pyetje në polici, arrestime etj. apo me mohimin e të drejtës për të mos u shkolluar më. Edhe gjatë ditëve në vazhdim, ka pasur gjithnjë protesta e grumbullime protestuesve kundër burgosjeve e përjashtimeve nga shkolla. Protestonin së bashku edhe nxënës e prindër. Në shenjë solidarësie me demonstruesit e burgosur e me kërkesat politike, disa herë gjatë muajve në vazhdim nxënësit organizonin marshe nëpër rrugët e kësaj qendre. Protestat pati edhe gjatë marsit të vitit 1982, që ishin edhe më masive se ato të përparshmet e që zgjatën më ditë të tëra, që bëheshin me rastin e burgosjes së mësimdhënësve të izoluar e të arrestuar.

     Por në shkollën e mesme të Kijevës, rezistenca e nxënësve dhe arsimtarëve nuk pushoi asnjëherë dhe ajo zgjati me muaj e me vite, zgjati me tubime të tjera të protestave, me aksione ilegale, me grupime të reja, dhe, gjithsesi, edhe me burgosje të reja. Brenda një viti burgosen, arrestohen e mbahen në izolim  edhe profesorët tjerë të kësaj shkolle, si Bila Kryeziu, Mehmet Kryeziu, Prend Buzhala, Sokol Kryeziu, Hamit Dobruna, mjeku Shaqir Sela referenti i shkollës së mesme këtu, Miftar Bogiqi, pastaj nxënësit, Halit Krasniqi, Haki Morina (disa herë i burgosur), Habib Morina, Tafil Morina, Bashkim Kryeziu, Fitore Kryeziu, Vezire Maloku, Rexhep Krasniqi, Sahit Morina, Zymer Krasniqi, Vllaznim Kryeziu, Servete Krasniqi, Sabrie Krasniqi, Lulëzim Krasniqi, Hamëz Kryeziu, Kajtaz Kransiqi, Shaban Shala, Hysen Kryeziu, Fetah Kryeziu, Bajram Kryeziu, Adem Kryeziu, Ali Foniqi, Sefedin Foniqi, Azem Dukolli, Sali Dakaj, Nexhmi Kelmendi, Mustafë Krasniqi, Hamëz Morina, Hysni Hoti, pastaj studentët dhe të rinjtë e organizuar të fshatit Gllarevë, Sheremet Pantina e Sejdi Haxhaj.

     Këtu po shënojmë edhe emrat e të burgosurve tjerë, Hajdin Morina, Ramë Bashota, Sokol Bashota, Musë Buzhala etj. Do përmendur se kjo shkollë veprimtarinë atdhetare e kishte nisur që nga fillimi, kur ishte krijuar, më 1971; ndërkohë që më 1974 qenë burgosur edhe arsimtarët e parë, si Lazim Kaba, që u burgos së bashku me Rexhë Krasniqin, Kajtaz Ramadanin, Muharrem Gashin e Haki Kurtishajn. Po ashtu, drejtori i kësaj shkolle, Hamit Krasniqi, ishte kidnapuar nga forcat policore serbe dhe qe mbajtur në arrest për disa ditë (kurse në mars 1999, gjatë luftës, ai arrestohet dhe vritet nga forcat militare serbiane). Ndërkaq, ish’nxënës të kësaj shkolle, më tutje studentë të universitetit të Prishtinës, nuk ishte e habitshme që ishin në radhët e para të demonstratave  studentore në Prishtinë dhe dhjetëra ndër ta të burgosur... si Shaban Shala (më vonë edhe kuadër i lartë në kreun i UÇK’së), Nexhmi Kelmendi, Elmi Zeka, Sheremet Zeka, Milaim Zeka e shumë të tjerë.

- Prend Buzhala -

     Nëpër dhjetëra fshatra të këtij rajoni vepronin grupe të organizuara. Prandaj edhe ndodhën burgosjet masive, ndër të cilët do përmendur Gani Krasniqin, Haxhi Sertollin, Sinan Zogajn, Nuhi Adem Mazrekjan, Nuhi Zogajn, Nebi Zogajn, Azem Krasniqin, Abdyl Berishën e shumë të tjerë. Nxënësit, si Halilt Krasniqi, Haki Morina etj, nxirrnin revistë ilegale “Zëri i nxënësit”, mandej “Republika e Kosovës” etj. Të organizuarit në ëkto grupime të feshta shpërndanin trakte, shtypin ilegal, skuqnin asfalte e mure me parullat Kosova Republikë etj. Në mesin e këtyre emrave të përmendur, ka ndër ta që janë burgosur disa herë, duke marrë dënime drakonike... dhe duke u përballur në bankën e zezë me pushtues, njerëz të ligj, me diktaturat e përgjakshme, me prokurorë, mendjezezë e me njerëz’bisha, me skuadrat e torturës, me policë, hetues, gjykatës e gjyqe, me spiunë, me makinën e përbindshme shtetërore të krimit. Porse, këta burra e këto trimëresha i drejtonte dashuria për lirinë, për atdheun, për ëndrrat e për dëshirat më të mira. Dhe dhjetëra të tjerë që ishin kyçur në lëvizjen e madhe atdhetare të klandestine, apo si quhej ndryshe, të ilegales atdhetare. Të gjitha këto përpjekje, e gjithë kjo histori e bujshme e kësaj shkolle të lirisë, e radhit këtë vatër arsimi ndër të rrallat që i kanë dhënë kaq shumë Kosovës.

 

* ) Kjo kumtesë u lexua në 30 vjetorin e përkujtimit të demonstratave në Kijevë, si dhe në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981: kthesë e madhe kombëtare shqiptare”, Prishtinë 3 - 4 qershor 2011.

 

 

                                                                                          © Pashtriku.org, Qershor 2011

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981 

 

KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË SHTYPIN GJERMANFOLËS TË VITIT 1981

 

Sh k r u a n : I b i sh  N e z i r i

- marrë nga një punim më i gjatë -

     Kosova kishte bërë hapin e parë në pranverën e madhe. Qysh natën mes 11 e 12 marsit qeveritë jugosllave, serbe dhe kosovare së bashku kishin marrë masat që rrathët e izolimit t'i trashnin më shumë dhe Kosovën tërësisht ta fusnin në karantinë. Por, informatën se «në  kryeqytetin e krahinës së varfër jugore të Jugosllavisë mbrëmjen e 11 marsit kishte patur protesta të sudentëve» nuk mund e ndalen. Për këtë njoftuan gazetat e brendshme edhe ato të jashtme duke u mbështetur në agjensinë e lajmeve Tanjug.  Përpjekje të mëdha bëheshin që e vërteta për Kosovën të mos depërtonte jo vetëm jashtë Kosove, por as nga qyteti në qytet brenda për brenda. Bllokadë e tërësishme, por edhe përkundër bllokadës dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme informatat gjenin rrugën për të dalur jashtë Kosove dhe për tu vendosur në faqet e shtypit botëror  mes të cilit edhe shtypit gjerman.

     Ky shtyp kishte filluar të fliste me të madhe për trazirat në Kosovë dhe ai deri te ne arrinte përmes valëve të Radio Tiranës. Gjatë gjithë vitit 1981, sidomos në muajt e pranverës dhe verës nuk mbeti gazetë nga hapësira gjermanfolëse që në faqet e veta nuk e trajtoi çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në Ballkan. Gazetat si:

 

«Neue Zürcher Zeitung»,

«Frankfurter Allgemeine Zeitung»,

«Der Spiegel»,

«Tages Anzeiger»,

«Süddeutsche Zeitung»,

«Roter Morgen»,

«Die Welt», 

«Die Zeit»,

«Frankufurter Rundschau»,

«Der Standard»

«Die Presse» si dhe gazetat tjera me shkrimet për Kosovën fillojnë nga data 13 - 14 mars dhe pastaj vazhdojnë gjatë gjithë vitit 1981. Me shkrimet për Kosovën janë dalluar gazeta:

«Neue Zürcher Zeitung» me mbi 70 shkrime për Kosovën,

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» me mbi 60,

«Süddeutsche Zeitung»,

«Roter Morgen»,

«Der Spiegel» etj, të cilat e pasonin njëra tjetrën me raporte, informata, reportazhe dhe komente të ndryshme.

 

     Nga data 13 mars e viti 1981, kur në “NZZ” daton shkrimi i parë për demonstratat në Prishtinë e deri në fund të vitit zhvillimet janë paraqitur në mënyrë shumë korrekte. Është njoftuar për të gjitha zhvillimet, për demonstratat e 11 marsit, për ato të 26 dhe 27 marsit, të 1 dhe 2 prillit në Prishtinë dhe në qytete tjera të Kosovës, për përpjekjet për të organizuar edhe demonstrata tjera pos atyre të cilat veç kishin ndodhur.

 

Shkrimet e gazetave gjermanfolëse për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë.

     Në shtypin gjermanfolës flitet, sidomos nga 31 marsi për «Përleshje të reja në Kosovë.» për të vrarë e të plagosur nga të dy palët dhe për të burgosur. «23 demonstrues dhe 13 pjesëtarë të forcave të sigurisë të plagosur dhe 21 demosntrues të burgosur shkruajnë gazetat zvicerane, gjermane dhe austriake. Pos këtyre në faqet e këtyre gazetave thuhet se “për parullat zyrtarët beogradas thonë se janë armiqësore, por flitet edhe për përzierje të armiqëve  në punët e brendshme të Jugosllavisë.”

     Në shkrime tjera thuhet se «Në Kosovë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme” dhe se «çdo gjë atje është vënë nën kontrollin e ushtrisë dhe milicisë, e cila defilon mbi tanksa e autoblinda. Edhe gazetarëve iu është ndaluar vizita në atë vend dhe lidhjet telefonike në gjithë Jugosllavinë janë ndërprerë». «Armiq të brendshëm e të jashtëm me seli në Tiranë, Shtutgart e Bruksel, por edhe në SHBA i kanë organizuar këto demonstrata» thotë Beogradi zyrtar”,- shkruajn gazetat e kësaj hapësire.

     Emrat që janë marrë me përcjelljen e zhvillimeve në Kosovë dhe ndër shqiptarë kanë qenë emra të nderuar të gazetarisë gjermane si Viktor Meier e Heiko Flottau, Johan Georg Reissmüller, Arthur Meyer etj. Mirëpo është paksa e çuditshme se shumë shkrime për Kosovën dhe shqiptarët janë pa autorë ose vetëm me iniciale. Se cili ka qenë kursi i shkrimeve të shtypit gjerman për Kosovën dhe shqiptarët mjafton vetëm të lexohen titujt e shkrimeve si: «Shkëlqimi i syve në Kosovë», «Krizë e rëndë në Jugosllavi» i cili fillon: «Jugosllavia këto ditë gjendet në pozitën më të vështirë në politikën e brendshme që nga viti 1948. Në Krahinën Autonome të Kosovës, një regjion më i pazhvilluar dhe më i varfër, që gjendet brenda Republikës së Serbisë, në mes të 31 marsit dhe 2 prillit ka ardhur deri te përleshje të përgjakshme në mes të demosntruesëve dhe forcave të sigurisë.» Në Podujevë kishte autobusë dhe kamionë të djegur, vetura të demoluara e të përmbysura. Gurë, policë me antiplumb, maska gasi, helmeta dhe bajoneta, tanksa dhe autoblinda si dhe erë gazi lotësjellës.”

     Kështu e përshkruajn gjendjen në Kosovë shumë prej gazetave, të cilat janë në trajtim. Ato shkojnë akoma më tutje duke e ashpërsuar kursin e shkrimeve. “Roter Morgen” në shkrimet e saja shqiptarëve iu jep të drejtë kurse Beogradin e qorton për masakrat që i kishte bërë në fund të marsit dhe fillim të prillit në Kosovë. Gazeta “NZZ”, “Der Spiegel” “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruajnë se “rrugës mes Podujeve dhe Prishtine ashtu si edhe në vetë qytetin e Prishtinës kishte «pamje që ngjallnin frikë. Kudo përgjatë rrugës ndihej kundërmim shkrumbi.»

 

Prishtinë, 04. 06. 2011: Ibish Neziri, Dr.Zymer Neziri dhe Merhiman Braha.

    Në secilën gazetë që njeriu e shfleton gjen informata si: «Me 1 dhe 2 prill (1981) Prishtina ka qenë nën një rrethim të egër me tanksa dhe autoblinda. Gjatë demonstratave janë brohoritur parullat: Kosova Republikë», «Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë!» etj. Pastaj njoftime për bilancin e demonstratave, numrin e të vrarëve, plagosurve dhe të arrestuarve, për kundërthëniet në politikën jugosllave dhe mes politikanëve jugosllav e atyre shqiptarë, për gjendjen e jashtëzakonshme, polemikën mes RilindjesdheRadio TiranëseZërit të Popullit”, për akuzat që Prishtina zyrtare, me qëllim të lehtësimit të pozitave të veta ia bën Tiranës për nxitje të demonstratave dhe përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë, për gjendjen e rëndë dhe masakrat që Beogradi i ushtroi me 26 e 27 mars e 1 e 2 prill mbi shqiptarët, për diferencimet ideopolitike dhe proceset gjyqësore në qytete të Kosovës, në të cilat, si thuhet në gazeta, vetëm brenda një jave u dhanë më shumë se 500 vjetë burg”.

     Duke folur për proceset gjyqësore autori thotë se «që nga fillimi i trazirave në Kosovë janë zhvilluar më shumë se 300 procese skandaloze gjyqësore me çrast shumë të rinjë, nxënës dhe studentë kanë marrë denime shumëvjeçare burgu për shkak të pjesëmarrjes së tyre në demonstrata». Flitet edhe për shpërndarje afishesh e shkruarje parullash në viset shqiptare në Maqedoni, për bojkotim të mësimit në gjuhën maqedone nga studentë dhe nxënës shqiptarë, për procese gjyqësore në Shkup e Titograd (tani Podgoricë) dhe për Preshevën, e Bujanocin. Titujt e gazetave që i trajtojnë këto çështje janë të shumtë, por akoma më të shumtë janë titujt e artikujve që botohen në gazeta.

     Në faqet e gazetes Der Spiegel gjendet edhe ky tekst: «Revistës «Der Spiegel» tani nga Kosova i vie një thirrje për ndërgjegjen e gjithë botës së civilizuar, të nënshkruar nga tre profesorë universitarë: «Gjatë muajt mars dhe prill në të dy rrugët kryesore të Prishtinës, «Ramiz Sadiku» dhe «Marshall Tito» ka patur skena të tmerrshme: kufoma të shtrira, shpesh të ndara dhe të coptuara, pa koka, këmbë dhe duar. Mes të vdekurve gjithashtu edhe fëmijë të moshës shkollore. Shumë kufoma janë bartur me kamionë ushtarakë dhe janë djegur jashtë qytetit me kerozinë…Të drejtat qytetare nuk vlejnë më. Natën nëpër rrugë patrullojnë ushtarët legjionarë që mund ta arrestojnë secilin…”, thuhet në Apel, shkruan gazeta Der Spiegel” „Mundësia për ti vërtetuar këto të dhëna nuk ekziston, sepse Amnestia Internacionale dhe  Kryqi i kuq Ndërkombëtar nuk mund të shkojnë në Kosovë.» «Raportet zyrtare flasin vetëm për imazhe të zbehta të masakrave që kanë ndodhur në krahinën fatkeqe Ndoshta shkrimi tjetër i kësaj gazete, i botuar në tetor, me titull: «Të gjithë heshtin», më së miri e pasqyron gjendjen që mbretëronte atë kohë: Beogradi nuk mund t'i fus nën kontroll trazirat në Kosovë. Qe shtatë muaj atje rebelohen banorët shqiptarë.»

     Në shkrim flitet për trazira, greva, sabotime, vështirësi ekonomike etj. «Kudo në centralet energjetike dihet se ku qendrojnë defektet dhe pse ka defekte, ndërkaq në ato të Kosovës nuk dihen. Shqiptarët po rebelohen. Në vend të 2.4 milionë KW energji elektrike, tani mezi i dërgohen Serbisë më pak se një milion. Shefi i Sigurimit Shtetëror në Ferizaj, Milorad Stankoviç, rebelimin, mungesën e rrymës dhe grevat i vë në lidhje me nacionalizmin dhe irridentizmin shqiptar. Ai thotë: «Veprimtaria e nacionalistëve dhe irridentistëve shqiptarë nuk tregon shenja të dobësimit. Armiku tani po organizohet në grupe dyshe dhe treshe. Ata në parullat dhe pamfletet e tyre po thërrasin për diverzione dhe vënie zjarri. Të gjithë i denojnë këto veprime, por të gjithë heshtin. Askush nuk tregon gjë. Fabrikat po i kaplon flaka. Vetëm me trimëri të jashtëzakonshme dhe gjakftohtësi lokomotivistët e talentuar pranojnë të udhëtojnë natën në hapësirën e Kosovës. Mbi binarë gjenden gurë. Aparaturat sinjalizuese janë shkatërruar. Predha të rrezikshme për jetë i godasin xhamat e përparme të  trenave. Gjithashtu ushtarët e ardhur për përforcim nga anë tjera të vendit sulmohen

     «Der Spiegel» thotë se për «Politika Express-in» është e qartë: Kundërrevolucionarët kanë forcë që të mos i dorëzojnë armët. Armiqët e ndryshojnë taktikën e veprimit. Ata nga veprimtaria e hapur kalojnë në veprimtari të fshehtë.” Gazeta «Narodna Armija», sipas «Der Spiegel», thotë:  “vendi gjendet në luftë!”

     Shtypi gjerman gjatë gjithë vitit 1981 vazhdon me shkrime.

 

“Politika hegjemoniste në mëdyshje”,

“Represioni në Kosovë vazhdon”,

“Proceset gjyqësore me forcën më të madhe”,

“Jugosllavia do të bëhet serbe”,

“Kosova si kurrë më parë është fuqi baroti”,

“Masakrat e trupave të Beogradit në Kosovë”,

“Kush nxit përçarje midis popujve të Jugosllavisë?”,

“Provokimet jugosllave”,

“Çka ndodhi para ambasadës jugosllave në Tiranë?”,

“Është e drejtë kërkesa për njohjen e statusit të Republikës së Kosovës”,

“Fjalor i hapur i Rankoviçit”,

“Trazirat e vitit 1968”,

“Lufta e popullit të Kosovës është e drejtë”,

“Tani procese masive në Kosovë”,

“Ngjarjet në Kosovë dhe bashkëpunimi i fshehtë sovjeto - serbomadh”,

“Forcat prosovjetike në Jugosllavi”,

“Valë procesesh në Jugosllavi”,

“Proceset Masive do të vazhdojnë”,

“Në një javë mbi 500 vjetë burg”,

“Deklaratë e partive komuniste evropiane mbi ngjarjet në Kosovë” etj.,

janë vetëm disa nga qindra tituj të botuar në shtypin gjerman gjatë vitit 1981.

Ato kanë qenë lajme të shkurtëra, raporte, reportazhe, udhëpërshkrime, komente…

     Trajtimi i temave është bërë në mënyrë korrekte, me një gjuhë shumë të kujdesshme. Kur është shkruajtur për nacionalizmin dhe irridentizmin shqiptar”, për armiqët e brendshëm e të jashtëm apo për kundërrevolucionin”, ato nuk kanë qenë shprehje të atyre gazetave e as të autorëve të tyre. Ato kanë qenë citime dhe si të tilla edhe janë sjellur në artikuj, gjithnjë në thonjëza apo me sipas…”, “thotë…”, “ka thënë…” etj.

 

Neuenhof - Aargau, 06. 03. 2011: Ibish Neziri, duke lexuar kumtesën e tij.

 

     Dhe fare në fund, për të parë, se ç’vend kishin zënë Kosova dhe shqiptarët gjatë vitit 1981 në shtypin gjermanfolës, mjafton të hidhet një sy te zhvillimet e atij viti në botë. Ai ishte vit në të cilin, pothuajse e gjithë bota vlonte. Lufta e ftohtë mes dy blloqesh, «Brigadat e Kuqe» në Evropën Perëndimore, sidomos në Itali dhe Gjermani, Irlanda Veriore dhe grevat e urisë deri në vdekje të anëtarëve të IRA's nëpër burgjet angleze, Polonia, grevat që kishin filluar edhe në Rumani dhe Kinë, Lindja e Afërme, e Mesme dhe e Largët, Irani dhe marrëdhëniet e acaruara amerikano-iraniane, luftimet kundër ushtrisë sovjetike në Afganistan, vlimet në Afrikë, luftërat qytetare në Amerikën Qëndrore, Atentatet në Papa Vojtilën dhe Ronald Reganin, dhe shumë zhvillime tjera në arenën ndërkombëtare ishin ngjarje që nuk penguan që Kosova dhe shqiptarët të zënë vend të rëndësishëm në faqet e shtypit gjermanfolës të të tri vendeve, Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë. As vetë pozita e Jugosllavisë, madje as ndërhyrjet e saj nuk mund e penguan këtë. Ky shtyp Kosovën dhe shqiptarët i trajtoi seriozisht dhe me shumë korrektësi për çka edhe e meriton një vëmendje të madhe dhe një studim të hollësishëm po me aq seriozitet sa e ka trajtuar ai Kosovën dhe shqiptarët në faqet e veta në vitin 1981.

 

Ibish Neziri

Buchs AG - Zvicër,  2011

                                                                                                                                   © Pashtriku.org, Qershor 2011

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

 

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË BESIANË,

KTHESË E MADHE HISTORIKE

PËR TËRË KOSOVËN

 

 

 

Shkruan: Prof.Avdi Gjata ( * )

 

 

    Demonstratat janë manifestime të masave të gjëra popullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur haptas një ose më shumë kërkesa politike, ekonomike apo shoqërore, po edhe kërkesa kombëtare nëpër ato shtete ku është mohuar apo shkelur e drejta kombëtare, e një populli për vetëvendosje e bashkim kombëtarë që është ndarë me dhunë e pa vullnetin e tij, nga një vend. Demonstratat bëhen edhe për të kundërshtuar e për t’u çliruar nga një padrejtësi apo ndonjë veprim tjetër që është në kundërshtim me të drejtat njerëzore e ndërkombëtare që është e përcaktuar me normat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu ajo ka për qëllim të tregoj edhe forcën kombëtare, organizative e politike të popullit dhe udhëheqësve të saj. Për këtë qëllim në rastin e popullit shqiptar të Kosovës, është tepër e natyrshme që pushteti serb të ishte kundër kërkesave të shqiptarëve me qëllim për të penguar realizimin dhe sendërtimin e kërkesave të tyre shekullore po që nuk arritën t’i realizojnë për shumë shkaqe e faktor.

     Për këtë arsye, rreth ngjarjeve të këtij viti është edhe vlerësimi zyrtar se ato ishin kundërrevolucionare dhe tani është vetë koha dëshmitare e asaj se një vlerësim i tillë ishte një gabim i tejkaluar. Për këtë qëllim, po e citoj profesorin e intelektualin e njohur mr. Ukshin Hotin i cili në vitin 1981 i mbështeti kërkesat e studentëve dhe të popullit shqiptar që e sqaroi shumë mirë fjalën kundërrevolucion. Sipas tij, fjala kundërrevolucion definohet si aksion i organizuar politik i drejtuar kundër sistemit shoqëror të krijuar me revolucion, kundër fryteve revolucionare të shoqërisë. Si dukuri shoqërore e kundërt me revolucionin, kundërrevolucioni shënon ndryshimin pozitiv të një gjendjeje shoqërore ose sistemi, në drejtim të restaurimit të raporteve të lëkundura dhe të mënjanuara politike dhe ekonomike-prodhuese.

 

Ukshin Hoti

 

     Shqiptarët gjatë demonstratave të vitit 1981, shtruan kërkesa për çlirim kombëtar, liri e pavarësi nga shteti i Serbisë i cili i ka robëruar dhe i ka pushtuar tokat e shqiptarëve nga viti 1912 e që kërkohet çlirimi i tyre i cili merr karakter krejtësisht tjetër e të kundërt me kërkesat e demonstruesve po edhe me vlerësimet zyrtare të qeverisë. Ndonëse me kërkesën Republikë nuk synohej as shkëputja e as përmbysja e raporteve shoqërore në Jugosllavi, prapëseprapë u theksuan këto shpjegime sipas prof Hotit.

·       Se republika do të shfrytëzonte të drejtën për vetëvendosje dhe do t’i bashkëngjitet Shqipërisë.

·       Se republika provokonte luftën qytetare dhe përmbysjen e rendit (komunist e socialist, plotësim i imi), shoqërorë të Jugosllavisë.

·       Se ajo do të provokonte revidimin e kufijve në Ballkan dhe më gjerë në Evropë.

     Nëse ngjarjet e vitit 1981 vlerësohen si kundërrevolucionare, atëherë këto forca duhet t’i vlerësojmë si revolucionare pasi nuk është e logjikshme që forcat kundërrevolucionare t’i kundërviheshin qëllimeve kundërrevolucionare. Për këtë qëllim forcat revolucionare në këtë pikë na del se ruanin njërën nga frytet e revolucionit, rregullimin federativ e socialist të Jugosllavisë. Për këtë shkak, kërkesa për Republikë do të thotë vetëm vënien e raporteve kualitativisht të reja, evitimin e ndikimeve negative të huaja dhe shpërthimin e energjive të reja për popullin shqiptar po edhe për atë serb thotë Hoti.

     Demonstratat e popullit të Kosovës të viti 1981, kërkesat i kishte të mbështetura në të drejtën ndërkombëtare, pasi vetëvendosja nënkupton parimin e të drejtës së popujve për vet përcaktim, për të drejtën e shtetit të vet dhe për bashkim me shtetin amë siç e bëri në vitin 1990 Gjermania. Mirëpo, shumë shtete të drejtën për vetëvendosje, gjatë historisë për qëllime koloniale e ‘rezervuan vetëm për veten e tyre’ duke ia mohuar popujve të tjerë këtë të drejtë, thotë E. Stavileci, pikërisht siç vazhdon edhe sot e kësaj dite të kontestojë pavarësinë e Kosovës, me gjithë shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt, që sot e kanë njohur mbi 75 shtete anë e mbanë rruzullit tokësor.

     Për këtë arsye, demonstratat filluan në Prishtinë por që shumë shpejt u përhapën edhe në rajonin e Llapit e që qendra e tyre ishte qyteza e Besianës e cila kishte përafërsisht 20 - 25 mijë banorë. Vetëm pesë ditë më vonë me 1 e 2 prill 1981 demonstrata filloi edhe në Besianë që është argumenti më i mirë se grupet dhe organizatat ilegale kombëtare kishin punuar e vepruar pandërprerë e në kontinuitet qysh nga vitet 1945’ta e deri më 1981. Pas masave që kishte marrë sigurimi shtetëror Jugosllav në bashkëpunim me atë të Kosovës për burgosjen e organizatave ilegale në Llap e veçanërisht organizatës së Adem Demaçit ‘Lëvizja Revolucionare për Bashkim’, gjatë vitit 1974 - 75, e cila quhej nga pushteti si ‘veprimtari subversive shqiptare’, filloj të forcohej edhe më shumë  e veçanërisht gjatë viteve 1979 - 1980.

 

Adem Demaçi

Programi i LRBSH’së, i përpiluar nga Adem Demaçi.

     Lëvizja në rajonin e Llapit kishte edhe një përvojë të mirë pasi që edhe për organizimin  e demonstratave të vitit 1968 në fshatin Bajçinë në odën e familjes së madhe të Gjatajve e cila gjendet në këtë rajon, ku edhe ishte marrë vendimi për fillimin e demonstratave të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë. Gjithashtu edhe gjatë viteve 1979-80 në Llap u zbulua organizata tjetër ilegale e cila drejtohej nga Rifat Jupolli, nga fshati Shajkovc i Besianës dhe Avdyl E. Lahu nga Gllamniku (Vendenisi), që ishte referent në shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Kjo organizatë kishte lidhje edhe me organizatën e Jusuf Gërvallës dhe me atë të Sabri Novosellës që pikërisht edhe gjatë këtij viti kanë shpërndarë trakte dhe parulla edhe në rajonin e Llapit.

     Veprimtaria ilegale e organizatave në Llap gjatë viteve 1980 - 1981 luajti një rrol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe konsolidimin e organizatave tjera dhe në anëtarësimin e një numri shumë të madh të anëtarëve. Lëvizja Ilegale Kombëtare Shqiptare në Llap nuk do të kishte kurrfarë kuptimi pa: Shaban B Shala, Sabit Kapitin, Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Ibrahim Demollin, Xhafer Metën, Xheladin Rekaliun, Ilaz Pirevën, Salih Salihun, Ismet Begollin, Afrim Zhitiun, Fahri Fazliun, Hasan Ramadanin, Ali Ajetin, Gjyla Krasniqin (Shota e Llapit) - Gaca, Zahir Pajazitin, Agron Rrahmanin, Jetullah Islamin, Mustafë Llapashticën, Avdi Latifin, Bahri Fazliun, Ilir Konushevcin, Avdi Gjatën, e shumë e shumë atdhetar të tjerë. Në vazhdim do t’i paraqesë edhe emrat e disa organizatave që luajtën rol të madh gjatë demonstratave të vitit 1981 në Llap.

 

1.    Organizata Ilegale ‘Përsëri në Këmbë’ nën drejtimin e Salih Salihut e Gjyla Krasniqit e formuar gjatë vitit në Besianë.

2.    Organizata Revolucionare për Bashkimin Kombëtar, nën drejtimin e Fehmi Berishës e Ramadan Dibranit e formua në Besianë.

3.    Organizata Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës e drejtuar nga Isuf Gërvalla, dega në Besianë e drejtuar nga Beqir Hajrizi më vonë LPRK’ja.

4.    Grupi Ilegal ‘Liria’ i krijuar nga Bajrush Behrami nga fshati Gegaj e Kadri Llugaliu - Surkish i themeluar në Besian,.më vonë i bashkohet LPRK’së. 

5.    Organizata, Fronti Nacional Çlirimtar - dega në Llap i drejtuar nga Afrim Zhitiu nga fshati Llugaj i vrarë më 2 nëntor 1989.

6.    Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK’ja) nën drejtimin e Bajram Ajetit e Sabri Kiçmarit, nga f. sh. Ballsh, më vonë iu bashkua LPRK’së.

7.    Organizata Komuniste për Bashkimin e Trojeve Shqiptare e formuar nga Naim Shala, Barilevë.

8.    Organizata Ilegale e Llapit ‘8 Nëntori’, e formuar nga Hamit Hamiti, Fatime Gjata- Maliqi e Avdi Gjata në Besianë.

9.    Organizata ‘Shaban Shala’ e formuar përsëri nga Salih Salihu dhe Gjylë Krasniqi në Besianë që ishte prezent edhe Avdi Latifi u formua në Besianë.

 

     Është e rëndësishme të theksohet se Salih Salihu është njeriu i dytë në rajonin e Llapit pas A. Demaçit që ka mbajtur shumë burg mbi 14 vite dhe i cili asnjëherë nuk lëvizi nga rruga që ishte përcaktuar dhe ishte zëdhënës i idesë se liria nuk fitohet me formimin e partive politike po me kryengritje të armatosur gjithë popullore.

     Gjatë kësaj kohe shumë të rëndësishme historike për Kosovën, ishte edhe një pjesë e inteligjencies dhe e njerëzve të tjerë ndër të cilët kishte edhe të atillë që nuk u mungonte sinqeriteti e që mendonin se demonstratat e kanë rrezikuar ‘Lirinë’ e Kosovës dhe se nuk ka qenë koha për rezistencë në formë të demonstratash, ngase më parë është dashur të pritet, pasi serbët patën me e lëshua vet Kosovën e që ishte një iluzion i vërtetë pasi që kishin harruar se Titoja tani veç kishte vdekur dhe se ishin krijuar rrethana dhe kushte krejtësisht të tjera politike gjatë vitit 1980 - 81 në Jugosllavi. Pastaj kishte edhe mendime nga një pjesë e madhe e politikës shqiptare që me qëndrimet e tyre shpreheshin dhe deklaronin se Kosova ishte e barabartë me Republikat e Jugosllavisë dhe se fajin e kemi vet ne që nuk ditëm t’i shfrytëzojmë mundësitë që na i kishte mundësuar Kushtetuta e Jugosllavisë e Kushtetuta Kosovës e vitit 1974.

     Edhe pse pjesa më e madhe e tyre i kishin kryer shërbimin ushtarak dhe ishin edhe me grada ushtarake që e kishin mësuar nga vet profesorët jugosllav se është thënia se: ‘Kriminel janë të gjithë ata që e fillojnë luftën, po edhe më kriminel janë ata që mundohen ta pengojnë luftën kur ajo veç ka filluar pasi që nëse nuk e ke fituar luftën do të biesh prapë në robëri edhe më të rëndë’. Mirëpo rinia studentore dhe populli ishin shumë të vetëdijshëm çka ishin duke vepruar andaj nuk u luhatën në asnjë çast në detyrën e shenjët që i kishin dhënë vetes për ta çuar detyrën deri në fund pa marrë parasysh dëmtimet dhe humbjet që mund të ndodhin pasi, ‘Liria nuk falet, po ajo fitohet me gjak’. Për këtë arsye Demonstratat e vitit 1981 me plot të drejtë i quajmë se janë një, Kthesë e madhe historike e popullit të Kosovës.

 

Prof.Avdi Gjata

Prishtinë, më 04. 06. 2011

( Foton e autorit e ka bërë Ibish Neziri )

* ) Kjo kumtesë u lexua në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 - kthesë e madhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”,  e mbajtur në Prishtinë, më  03 - 04. 06. 2011

 

 

                                                                                                                           © Pashtriku.org, Qershor 2011

 

  

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të 26 majit 1981 në Therandë

 

 

REVOLUCIONI 1981 - KRIJOI BAZËN E

USHTRISË ÇLIRIMITARE TË KOSOVËS

 

 

Shkruan: Afrim Morina

  

Duhet ta dinë të gjithë, se historia është ajo që ka ndodhur dhe jo ajo që kemi dëshirë të ketë ndodhur. ( * )

 

     Demonstratat e vitit 1981 nuk do të merrnin përmasa kaq të mëdha dhe të trajtohen si revolucion, sikur të mos kishin vepruar gjeneratat para shpërthimit të tyre. Si në gjithë hapësirën kombëtare nën okupimin e ish-Federatës Jugosllave, po ashtu edhe në Komunën e Therandës ishte grumbulluar mllefi i shqiptarëve dhe kjo u pa me vazhdimësinë e saj deri në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Rrethanat politike që i paraprinë demonstratave të vitit 1981

 

     Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Komuna e Therandës do të përballet me pushtetin e instaluar kundërkombëtar, sepse në rrethinën e saj nuk kishte pasur kurrë pushtet të mirëfilltë, që do të mbështetej nga masa, sepse fshatarësia e saj e siguronte bukën e gojës me punën e vet dhe nuk kishte nevojë të mbështetej në pushtet. Kjo u ndie edhe gjatë e pas lufte.

    Goditjen e parë therandasit do ta marrin me mobilizimin e qytetarëve për në frontet e Sremit e Dubrovnikut, ku në plojën e Tivarit do të pësojnë më së shumti, sepse pjesa dërmuese e përbërjes së Eshalonit të Dytë, i cili u masakrua, ishin nga kjo komunë. 

     Goditja e dytë i bëhet në aksionin e grumbullimit të të gjitha të mirave materiale, që pushteti i atëhershëm e arsyetonte me pjellshmërinë e tokës dhe kushtet e përshtatshme për majmërinë kafshëve e shpezëve.

     Goditja e tretë do të bëhet në torturat që do të pësojnë therandasit në “aksionin grumbullimit të armëve”, ku gjeti vdekjen edhe Jetë Kuçi - Mushtishti. 

     Duke u përballur me pushtetin e ri të krijuar, fshatarët pranuan që të gjenin mbështetje te nacionalistët, të cilët haptas ishin ngritur dhe do të krijohej terren i përshtatshëm për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e vet do ta zhvillojnë dy personalitete të mëdha të kohës, siç ishin Kapedan Shefqeti dhe Ibrahim Lutfiu, madje i dyti do të veprojë gjer në flijim, në vitin 1950.

     Bërthamën e parë të veprimtarisë ilegale do ta përbënin Shaban Mazreku dhe Zenun Kepa, si dëshmor i pari, i cili para familjes e bashkëfshatarëve do të torturohet mizorisht deri në vdekje dhe me qëndresën e tyre yshtën edhe të tjerët të bëheshin parzmore e çështjes kombëtare. Shumë shpejtë do të themelohet Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, që në radhët e saj, përveç Shabanit me vëllezër, do të hyjnë Zekë Bajraktari gjithashtu me vëllezër e kushërinj dhe qytetarë tjerë nga fshatrat tjera të kësaj Komune. Kjo lëvizje veprimtarinë e vet do ta ndërpres me burgosjen e Destan dhe Jashar Bajraktarit në vitin 1957 dhe do të pasojë periudha tjetër.

 

Qyteti i Therandës

     Informbyroja, si gjithkund në Shqipërinë e robëruar, edhe në Therandë do të ndikojë dhe do të burgosen Zenun Gashi, Xhemajli Gashi dhe Nez(ir) Grejqevcin. Në rrethana ende të pa sqaruar mirë do të vritet edhe Jakup Shaban Jakupi nga Mushtishti në vitin 1952. Po në këtë vit do të burgoset Nezir Gashi, Rifat Kuçi. Veprimtaria e këtyre të apostrofuarve gjeti mbështetje në masë dhe ata që ishin gjallë, kudo që shkonin kishin respektin e merituar, sepse pushteti vepronte haptas kundër tyre edhe pas kryerjes së dënimeve. Me një fjalë, ishte krijuar mentaliteti i kundërshtimit të guximshëm dhe kudo nëpër çarqe fshatarësh merreshin si shembull i veprimit, guximit dhe qëndrueshmërisë.

     Po në këto anë do të gjejë mbështetje për veprimtari ilegale edhe Kadri Halimi e Ali Aliu - Preshevë në vitin 1962, e cila do të ndikojë edhe më tepër në syçelëti dhe forcimin e qëndresës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kjo veprimtari ilegale nga intelektualët e kohës do të mbështetet më vonë edhe nga rinia shkollore dhe në vitin 1964 kemi burgosjen e nxënësve të Shkollës Normale në Prizren, që bartës të kësaj veprimtarie kombëtare nga kjo Komunë do të jenë: Haxhi Zyba, Hysen Bukoshi dhe Shefki Muqaj.

    Të gjithë këta veprimtar që kishin zhvilluar aktivitet ilegal për çështje kombëtare, do të lindin vitin 1968, si vit i kushtrimit mobilizues për kauzën kombëtare. Me 8 Nëntor 1968 do të shpërthejë demonstrata e fuqishme, ku për herë të parë do të valëvitet flamuri kombëtar kuqezi, krahas parullave të brohoritura: “Universitet dhe Republikë”. Organizator i kësaj demonstrate do të jetë Haxhi Bajraktari, ndërsa në mesin e nxënësve të shkollave të mesme do të jenë Muharrem Elshani, Nexhat Kuçi dhe Afrim Morina dhe këta të dy të fundit, do të përjashtohen nga lidhja e rinisë (lexo: nga procesi mësimor), por pas bojkotit të mësimit për tre ditë, nga nxënësit e gjimnazit dhe normales - paralele të ndara, do të rikthehen në bankat shkollore. Kjo demonstratë, e bërë publike, për herë të parë do nxjerrë në shesh edhe aktivistët e UDB’së: Ramadan Fondën, Remzi Kolgecin dhe Gani Bllacën. I pari e heq flamurin nga shtylla ku ishte vendosur dhe dy të tjerët do të merren me diferencimin dhe përjashtimin e nxënësve nga shkolla, njëri në cilësinë e Kryetarit të Rinisë dhe tjetri në cilësinë e përgjegjësit të paraleleve të ndara të gjimnazit. Ndërsa për demonstratën e zhvilluar në Prishtinë do të përndiqen Izet Baraliu, Mazllum Baraliu, Haxhi Papaj - Shala dhe Osman Zajmi.

     Në vitin 1970 do të dënohen për kundërvajtje një grup studentësh therandasë: Gafur Kabashi, Musli Kuçi, Ali Kuçi etj., sepse kishin festuar 28 Nëntorin, ditën e mëvetësisë së Shqipërisë. Në këtë vëllim të aktivitetit gjysmë ilegal do të arrestohet Afrim Morina, në vitin 1974, por në mungesë faktesh do të lirohet nga ndjekja penale. Në vitin 1975 do të burgoset për herë të dytë Nezir Gashi me Nuhi Kuçin, Gafur Kabashin dhe Muharrem Elshanin dhe në mungesë të fakteve këta tre të fundit nuk do të ndiqen penalisht. Rinia studenteske e therandasve do të lidhen me Nezir Gashin e Destan Bajraktarin në Prishtinë, nga të cilët do të marrin edhe orientime për të shtrirë rrethin e vet të organizimit. 

 

Qarkullimi i literaturës ilegale

 

     Viti 1968 do të jetë vit i kthesave të mëdha, qoftë në orientimin e rinisë në rrugën vetëmohuese për çështjen kombëtare, në pasurimin e saj me letërsi ilegale kombëtare dhe organizimin e formave të ndryshme të aktiviteteve kulturore kombëtare. Do të shkëmbehet letërsi ilegale nga Afrim Morina e Nexhat Kuçi në mes profesorëve: Avdullah Thaçit, Hysni Shehut, Bajram Kurtit, Habib Ahmetit e Xhevat Krasniqit, si dhe me Beqir Elshanin e Haxhi Papaj - Shala, e ndonjë tjetër. Në shkollën fillore “Vëllazërim-bashkim” do të funksionojë grupi letrar “Naim Frashri” nën udhëheqjen e Profesor Ramadan Shalës. Të gjitha këto veprimtari që zhvilloheshin, zgjeronin rrethin e ndikimit të artikulimit të çështjes kombëtare.

     Manifestimi i 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut dhe liberalizimi pak a shumë i revistave shqiptare, ku brenda ballinave mund të lexohej për histori kombëtare, do të ngjallë kureshtjen për të hulumtuar edhe më tepër për dëshmorët e kombit dhe bëmat e tyre. Që nga viti 1970 letërsia dhe revistat letrare do të vinin nga një ushtarak i Tiranës ( 1 ), që përcillte kontingjentet e pemëve, perimeve, rrushit etj. dhe kjo literaturë, tash më me sasi, jo vetëm lexohej e shpërndahej, sipas motos, por kishte mundësi edhe të jetë pronë e atyre që merreshin me analiza. Bujë të madhe do të bëjë edhe romani i Adem Demaçit, që ishte dënuar politikisht për herë të dytë, “Gjarpijt gjakut” dhe disa revista letrare, të cilat lexuesit ilegal mund t’i këmbenin ndër vete përmes bibliotekarit të Bibliotekës së Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Beqir Elshani. Letërsi ilegale vinte edhe nga Hysen Gega, punëtor në Gjermani dhe përmes Ali Ahmetit nga Botusha, mësues në Maqitevë, do të përhapej te nxënësit nga Halil Krasniqi e Mejdi Gega. Ramadan Shala tregon se Gjimnazi i Tharandës është  institucion i parë shkollor që bibliotekën e ka furnizuar me revista letrare nga Tirana, falë ndihmës së Beqir Elshanit. Ishte një fitore e madhe që nxënësit shqiptarë për herë të parë në vitin 1973 mund të lexonin revistat shqiptare: “Nëntori”, “Shkenca dhe jeta”, Studime filologjike” dhe “Studime historike”.

     Ndikim të madh do të bëjë edhe Radio Kukësi me këngë folklorike dhe me ngjarje të historisë kombëtare, Televizioni Shqiptar me: Fjala artistike në ekran, drama, etj., që për fat mbulonte këtë regjion. Me 1978 do të vihen kontaktet me sekretarin e ambasadës së Shqipërisë në Beograd - Tomën, përmes të cilit, jo vetëm se sigurohet literaturë, por do të informohen edhe për rrjedhat politike në Shqipëri në Jugosllavi e Kosovë, por edhe për aktivitetin politikë të mërgatës. Po këtë vit do të bëjë bujë edhe manifestimi i njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po në vitin 1970 do të themelohet shoqëria kulturore artistike “Sythi i ri” me nismën e Gafur Kabashit, që më vonë do të njihet me emrin “Jehona”.

     Viti 1975 do të bëjë edhe një hap përpara në kalitjen e rinisë, jo vetëm shkollore, por edhe studenteske. Me nismën e Afrimit dhe mbështetjen e Sherif Gashit e Ramadan Shalës do të themelohet shoqata letrare “Elena Gjika”, e cila do të ketë sektorin letrar dhe dramatik, e, ku do të angazhohen: Bislim Elshani, Ibrahim Shala, Fadil Vata, Halil Krasniqi, Ymer Bala, Rexhep Morina, Halil Morina, Ferat Morina, Ramadan Ramadanaj, Drita Lumi, Milajete Bektashi, Fadilete Shala, Islam Spahiu, Ragip Syla, Beqir Bekteshi e shumë të tjerë, që bashkë me “Afërditën” e Mushtishtit dhe “Përparimin” e Studençanit do të zgjerojnë ndikimin e vet atdhetar edhe jashtë Komune. Do të këndohen këngë, do të përgatitën shfaqje dramatike, do të përgatiten recitale e lexohen punime letrare shumë të fuqishme e të frytshme kombëtare. Ramadan Reshitaj, gazetar, me rastin e vdekjes së Titos, në një analizë për “Rilindjen” shkruante, po e parafrazojë, se gjatë jetës së vetë kjo shoqatë ka shfaqur shumë drama dhe në orën e fundit letrare nga dyzetë poezi nuk është lexuar asnjë për Titon, madje nuk është mbajtur as një minutë heshtje, por të gjitha kanë qenë me karakter nacionalist, përveç një poezie për dashurinë. 

     Në viti 1979, do të Burgoset Ibrahim Shala, Besim Baraliu, Rrahman Llugaxhiu, Sadik Halitjaha, e do të merren në biseda informative Sadik Halitjaha, punëtor në “Ballkan”, Fadil Vata, Halil Krasniqi, Fadilete Shala, Drita Lumi e ndonjë tjetër nxënës të shkollës së mesme - Gjimnazit. Në vitin 1980  burgoset Ali Ahmeti, ndërsa nga organet e UDB’së do të merren në bisedë informative edhe Fadil Ndreca e Medi Gega. Po në këtë vit burgosen Hysen Gega, një veprimtar i ngushtë i Jusuf Gërvallës dhe Riza Vataj, kryetar i shoqatës “Vatra” të studentëve shqiptar në Zagreb. Këto tri ngjarje bënë jehonë të madhe te shqiptarët e kësaj treve.

 

Viti 1981 kishin të përgatitur tabanin kombëtar te therandasit ( 2 )

 

     Të gjitha këto sa u thanë më lart, kanë krijuar tabanin kombëtar dhe demonstratat e vitit 1981 morën karakterin e revolucionit në gjithë hapësirën kombëtare në ish-Jugosllavi.  Demonstratat e 11 Marsit 1981 edhe pse kishin karakter social, e alarmuan kreun e shtetit Jugosllav, sepse kishte informacione për pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilat ishin të theksuara me vizitën e Titos në vitin 1979, sidomos në Prizren, e cila pa vullnetin e Tij, u ndërpre në Kosovë. Ishin të angazhuar në ilegale edhe Ruzhdi Gashi si student në Prishtinë, Basri Zuka, punëtor kontabiliteti në Ferizaj dhe Alush Shala, bujk nga Hoqa e Rahovecit, e ndonjë tjetër. Ndërhyrja brutale me 25 e 26 Mars në Prizren dhe Prishtinë shtoi revoltën, sepse në këto demonstrime u kërkua edhe Republika, që tashmë ishte artikuluar bukur mirë në masë. Në Prishtinë do të marrin pjesë Ruzhdi Gashi e ndonjë tjetër, ndërsa në Prizren do të janë të angazhuar Mejdi Gega, Ymer Balaj, Nexhmije Demiri dhe Fatmir Zekolli. Të gjitha këto ngjarje përcilleshin nga aktivistët e ilegales, duke analizuar se si të veprohet në këtë situatë të krijuar, sepse bartnin dy përgjegjësi edhe të 1. heshtjes edhe të 2. orientimit të gabuar të politikës.

     Tre prilli do të gdhij me qytet-rrethime në gjithë Kosovën, por edhe me izolantët e parë, e, në mesin e tyre do të jenë Nezir Gashi e Haxhi Zyba. Po me atë datë do të vendoset një lajmërim nga ana e drejtorit të gjimnazit - Rahman Zeqirajt, me të cilin i ndalohej Afrimit të hynte në këtë objekt shkollor. Po në këtë datë do të bisedojnë Afrimi dhe Hazir Morina për të ndërmarrë veprime konformë situatës së krijuar dhe pas dy apo tri ditësh mendimit të tyre do t’i bashkëngjitet edhe Halil Morina. Në një bisedë që zhvillon Afrimi me Sejdi Gegën, ky i dyti paraqet gatishmërinë për të vepruar. Do të angazhohen edhe nxënësit si Mejdi Gega, Zyrafete Morina, Emerllah Krasniqi, Ismail Morina, (ky do të torturohet fizikisht, në polici, nga pasditja deri në orët e vona të natës, duke i bërë presion të tregojë për veprimtarinë e Afrimit). Me bashkëngjitjen e Bislim Elshanit këtij grupi, do të vihen kontakte edhe me motrën e Tij - Shemsijen, e cila ishte aktive në të gjitha demonstratat që ishin zhvilluar në atë kohë dhe rrethi i studentëve therandas do të zgjerohet. Hazirit propozon për aktivizimin e Hazir Balajt dhe Asllan Beqirajt në kryesi, me pak dilema do të pranohen. Afrimi  propozon Halit Demiri t’iu bashkëngjitet dhe kjo pranohet nga të tjerët. Përmes Hazirit ky grup do të mundohen të lidhet me Izet Baraliun, për të marrë edhe mendimin e Tij për aktivizim. Ky ato ditë ishte ilegal dhe nuk do të jep mendim të prerë, por do të lë dilema për të biseduar edhe një herë. Mbahet takimi i parë në shtëpinë e Fazli Morinës, i cili bënë edhe sigurimin e takimit. Islam Morina merr përsipër për ta sjellë në takim Halitin, por nuk e gjen në shtëpi, ndërsa në takim nuk marrin pjesë edhe dy të fundit. Në këtë takim vendoset të organizohet bojkotimi i mësimit, mirëpo organet e arsimit komunal i mbyllën shkollat përkohësisht dhe ky aksion dështon. Pas këtij akti do të pasojnë edhe izolimet tjera, duke përfshirë: Ramadan Shalën, Shaip Kryeziun, Xhevat Kabashin, Haxhi Eminin, Gafurr Kabashin, Hysen Kryeziun etj.

     Afrimi përmes Zenun Gashit lidhet me Met Krasniqin nga Arbana e Prizrenit, i cili ishte në lidhje me grupin e të rinjve: Hamëz Kryeziun, Afrim Hotin dhe Feti Hasanin. Lidhjet me Hamzën do t’i mbajë Ramadan Gashi. Janë bërë dy përpjekje për organizim të demonstratave në Prizren, por nuk kanë pasur sukses. Takimi me Izetin nuk jep rezultate, madje Ai është edhe kundër organizimit të demonstrimit, të paktën kështu ka qenë i informuar grupi.

     Në një mbledhje të Komitetit Krahinor të LKJ për Kosovë, kryetarët e komiteteve komunale referojnë për situatën politike nëpër komunat e tyre. Kryetari i LKJ për Therandë - Jusuf Shabani, do të deklarojë: “Në Suharekë ende nuk ka pasur demonstrata. Në bazë të informatave që kemi, kemi zbuluar tri qendra të irredentës. Njëra është në fshatin Bukosh, tjetra në fshatin Reshtan dhe e treta në fshatin Doberdelan. Sipas të gjitha informatave që disponojmë, qendra kryesore është në Reshtan.” Ky deklarim i Jusufit bëri që urgjentisht të takohet grupi, përsëri nuk do të vijë në takim Haliti, ndërsa Hazir Balaj dhe Asllan Beqiraj nuk kanë mundur të marrin pjesë në takim, për shkak të ndërrimit të vendit. Takimi është mbajtur në një kasolle, pronë e Haxhi Ymer Gashit, në të cilin përveç kësaj pesëshe morën pjesë edhe Ruzhdi Gashi e Shefki Gashi, të cilët edhe bënë sigurimin e objektit. Në këtë takim u vendos që demonstrata të mbahet të martën (ditë tregu) më 26 Maj 1981. Propozimet e Afrimit për rrjedhën e demonstratës u miratuan.

     Këto ishin:

     1. demonstrata të fillojë pesëmbëdhjetë minuta para orës pesëmbëdhjetë, sepse atë kohë bëhej ndërrimi i turneve në fabrikën “Ballkan”, e nxënësit e ciklit të ultë do të jenë nëpër shtëpi;

     2. demonstratën ta fillojnë Met Krasniqi, Hysni Gega, Emedllah Krasniqi, Ruzhdi Gashi;

     3. Mejdiu të merr parullat dhe bashkë me Ruzhdiun t’i shpalosin;

     4 demonstrata të fillojë me këngën “Dalëngadalë po vjen Behari”.

     5. Për të shkruar parullat u autorizua Bislimi. U diskutuan edhe përmbajtja e tyre dhe erdhën në përfundim se duhet të ishin këto:

     a. Republikë;

     b. Pa Republikë nuk ka barazi;

     c. Poshtë Shovinizmi serbo madhe;

     d. Të lirohen shokët tanë nga burgu, sepse ata janë lulja më mirë e Kosovës;

     e. dhe Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë.

     U mor qëndrim se ditën e demonstrimit të ishin të gjithë në Therandë. Po për këtë datë, me të rinjtë e Prizrenit, këtë e ka dit vetëm Halili, është krijuar një grup prej pesë vetash, të stacionuar në Hisar me armë, që nëse vijnë përforcimet e njësiteve speciale nga Prizreni, t’i pengojnë deri në tërheqjen e demonstruesve. Udhëheqës i këtij njësiti ka qenë Rexhep Krasniqi nga Prizreni. Me 26 Maj do të shkohet sipas programit. Afrim takimin e fundit e kisha caktuar me Hazirin në “Ballkan”, i cili e kishte gruan të shtruar në spitalin e Lubjanës dhe shokët kishin marrë qëndrim, që Ai të mos merrte pjesë në demonstratë, por të udhëtonte për atje. Me të marrë këtë sugjerim të shokëve, Haziri ngritët nga tryeza dhe pas pesë minutash, milici Hazir Kabashi, do të ma vë revolen prapa qafe dhe “Në emër të popullit” kërkon të dorëzohem, e, si përforcim kishte njësitin special, i cili ishte përhapur nëpër restorant me armë automatike në gatishmëri. Kjo ka ndodhur rreth tre orë para fillimit të Demonstratës. Hipur në veturë të tipit “Fiqa” dhe me shpejtësi të vogël, më kanë dërguar në postëkomandën e milicisë, kjo për të më parë qytetarë se isha i arrestuar në mënyrë që të dështojë demonstrata. Nga ai moment e gjer në shpërthim të demonstratës operativistët Vesel Krasniqi e Daut Morina kanë parashtruar vetëm dy pyetje: “Në ora sa do të fillojë demonstrata” dhe “Nga ku planifikohet të fillojë…?” 

     Na tubuan në një qeli të gjithë të arrestuarit e asaj dite, të torturuar e të përgjakur, por më së keqi e kishte pësuar Mejdi Gega. Më vonë në qeli do të vijë Muhamet Hoti, operativist shtetëror, i cili bashkë me milicët i torturonte të arrestuarit, duke kërkuar prej tyre të tregonin se kush isha unë, atëherë kam ndërhyrë, sepse me te njihesha që nga viti 1974. Nga nervozizmi Ai e shfryu tërë mllefin në mua, duke i urdhëruar edhe milicët të vepronin, një herë për babën e herën tjetër për mua. Se si ka shpërthyer demonstrata, sa kanë marrë pjesë në të dhe deri ku kanë arritur demonstruesit të parakalojnë në qytet, këtë mund ta thonë ata që kanë marrë pjesë, edhe pse shumë gjëra i kam mësuar më vonë.

     Fillimisht kam qenë i akuzuar në bazë të Nenit 136 Alinea 1, Nenit 139 Alinea 1 dhe Nenit 114. Shokët tjerë kanë qenë të akuzuar në bazë të Nenit 136, Alinea 1 dhe Nenit 114. Veprimtaria ime ndërlidhje edhe me të rinjtë e Prizrenit dhe kur gjatë hetuesisë është arritur të shkëputeshim edhe mua më heqin Nenin 139 Alinea 1. 

     Në proces gjyqësor të udhëhequr nga Orhan Rekathati - Kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prizren dhe bartësi i aktakuzës Jakup Gurmani - prokuror, do të shqiptohen këto dënime: 

     1. Afrim Morina me shtatë vjet burg të rëndë 

     2. Bislim Elshani me shtatë vjet burg të rëndë 

     3. Sejdi Gega me gjashtë vjet burg të rëndë

     4. Hazir Morina me pesë vjet burg të rëndë 

     5. Halil Morina me pesë vjet burg të rëndë.

     Me kundërvajtje, nga dy muaj, do të dënohen: 

     1. Mejdi Gega 

     2. Ruzhdi Gashi 

     3. Agron Gashi

     Nga Universiteti i Prishtinës Afrimi do të dënohet edhe me pesë vjet ndalimi për studime, ndërsa Sejdiu, Ruzhdiu e Zyrafeti do të dënohen me nga një vit. Zëvendës prokurori i Gjykatës Supreme, publikisht kërkon të shqiptohen dënimet më të larta dhe minimumi të jetë dhjetë vite burg të rëndë, ngase sipas Tij, koha e përgatitjes së demonstratës, mënyra e organizimit, mosha e jonë dhe përgatitja shkollore do ta arsyetonin kërkesën e Tij.

     Ndërsa nga grupi i të rinjve të Prizrenit do të dënohen këta:

     1. Hamzë Kryeziu me shtatë vjet burg të rëndë

     2. Afrim Hoti me gjashtë vjet burg të rëndë

     3. Feti Hasani me gjashtë vjet burg të rëndë

     Me 1995, në Doberdelan, është organizuar përvjetori i pesëmbëdhjetë i demonstratës së vitit 1981. I lajmërohem organizatorit, se kisha përgatitur me shkrim një punim. Ragip Zekolli kërkoi që t’ia jepja Atij për ta kontrolluar, përndryshe nuk do të më lejohej ta lexoja, sepse nuk isha paraparë në program. Të njëjtin mendim e ndau edhe Ukë Bytyqi, se sipas Tij, Ragipi ishte historian dhe duhet dhënë mendimin për vërtetësi, përndryshe nuk do të më lejohej të merrja fjalën. Unë vendosa me timen dhe në fund e mora fjalën pa i pyetur. Pas njëzetë e tetë vitesh, publikisht dëgjoj, në debate televizive për kryetar të Komunës së Therandës, madje edhe në balotazh, pasi ua kisha tërhequr vërejtjen publikisht me një reagimi “Organizatorët janë të gjallë”, se Blerim Kuçi ka qenë organizator i kësaj demonstrate!!! Kjo “vërtetësi” është e shënuar edhe në faqen e internetit për Komunën e Therandës, në biografin e kryetarit - Kuçi. Duhet ta dinë të gjithë, se historia është ajo që ka ndodhur dhe jo ajo që kemi dëshirë të ketë ndodhur.

 

1981’shi bazament i krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

     Po t’i referohemi ngjarjeve të mëvonshme historike, do të nxjerrim këto përfundime. Që nga demonstratat e marsit të vitit 1982, Theranda do të jetë barometër i lëvizjes kombëtare. Therandasit do të dalin bartës të proceseve, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel kombëtar, deri në mbarimin e Luftës në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. Zhvillimet që pasuan pas demonstratave të vitit 1981, na japin të drejtë, dje dhe sot, t’i quajmë revolucionare. Kjo për shkak të karakterit gjithëpërfshirës të shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë në proceset politike, për shkak të vazhdimësisë vetëmohuese dhe sakrifikuese, jo vetëm të bartësve të proceseve, por edhe të familjeve të tyre. Ishin revolucionare, sepse përkundër shtrirjes së aparati shtetëror të dhunës, serbo sllavët nuk arritën të ndalin rrugën e nisur për fitore. Shqiptarët ditë e më tepër bashkoheshin dhe këtë bashkim nuk mund ta zhbënte pushtuesi, përkundër disa veglave të veta, që kishin mbetur si raritet nostalgjik të së kaluarës, të cilat i përdori deri në theqafje nga këto troje.

     Ishin revolucionare dhe mu për këtë UDB’ja dhe KOS’si kishin shtuar aktivitetin e vet dhe derdheshin mjete për zbulimin e revolucionarëve apo grupeve revolucionare në gjithë hapësirën e shtetit, në struktura ushtarake e në shërbime ushtarake dhe diasporë.

     Ishin revolucionare, sepse bënë jehonë në gjithë botën e qytetëruar, për të cilën u angazhuan, fillimisht gazetarët, e më vonë edhe diplomatët e shteteve të ndryshme. U mundësua që në Parlamentin Europian, në vitin 1984, të dëgjohet referimi i Enver Hadrit për masakrat dhe gjenocidin që bënte Jugosllavia mbi shqiptarët.

     Ishin revolucionare, sepse edhe republikat tjera të Jugosllavisë shihnin tatëpjetën e asaj kryetare artificiale dhe filluan të mendonin për rrugëtimin e mëvetësishëm, sepse më nuk durohej fashizmi serb.

     Ishin revolucionare, sepse që nga viti 1984 filluan të mendojnë për kundërvënie të armatosur, siç ishte rasti me Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Dhe ky revolucionaritet, që nuk arriti ta shuante e as ta zbehte regjimi titist e millosheviqjan bashkë me vasalët e tyre, bëri që të krijoj edhe mekanizma ushtarak, fillimisht Frontin e Rezistencës e Bashkimit Kombëtar (1989), Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare e Kosovës (1992) dhe së fundi krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1994), e, që të gjitha në Therandë kishin bazë të fortë. 

     Unë kurrsesi nuk pajtohem në mes paralelizmave që vënë me “Solidarnostin” polak, sepse ajo luftonte për pluralizëm politik, ndërsa te ne bëhej luftë për jetë a vdekje, për çlirim e bashkim kombëtar, siç nuk jam pajtuar, e nuk pajtohem, me paralelizmat që vihen për demonstratat e vitit 1968 në Evropë dhe te ne, sepse atje demonstrohej për hapësirë kulturore, ndërsa te ne për mbijetesë kombëtare. Theranda ka të gjitha parakushtet për të ecur përpara në realizimin e synimeve shekullore të dëshmorëve të kombit, për çlirimin e vise të pushtuara dhe bashkimin kombëtar. Kam bindje, se në këtë rrugëtim, therandasit do të zënë vend të merituar në historinë kombëtare, siç e kanë deri në ditën e sotme.

Therandë, 26. 05. 2011

 

( Kjo kumtesë u lexua me 26 Maj 2011, në përvjetorin e tridhjetë të demonstratave të vitit 1981 në Therandë. )

_____________________________________________________________________________________________________

 

    1.  Me njërin prej tyre kam qenë i lidhur dhe nga Ai gjatë viteve 1970-1974 kam marrë literaturë dhe kam mbajt letërkëmbim (Ai ka qenë me pseudonim dhe adresën e ka pasur nga Korça, por ka qenë ushtarak në Tiranë), për fat të keq emri nuk më kujtohet

   2.  Në historikun e shkurt të Therandës në faqe interneti, kjo datë nuk përmendet fare.

 

  * ) ”Kosova sot” kur informon për tridhjetë vjetorin e demonstratave të 1981, paraqet Ukë Thaçin organizator!!! - Faqja e internetit “Suhareka. Com” flet vetëm për Ukë Thaçin dhe Blerim Kuçin dhe “harron” të përmend kumtesën bosht të këtyre ngjarjeve, autorin e këtij shkrimi.

 

 

                                                                                                                                     © Pashtriku.org, 29. 05. 2011

 

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981 në Kosovë

 

 

BANDEROLA "KOSOVA REPUBLIKË"

NË QENDËR TË THERANDËS

 

     Në verë të vitit 1984, motra ime, Shemsije Elshani, u lirua nga burgu fashist, e cila së bashku me Teuta Bekteshin nga Kumanova ka qenë e dënuar me burg të rëndë. Teuta rridhte nga një familje atdhetare, është motra e shkrimtarit të ndjerë Fadil Bekteshit. Motra ime u lirua ndërkohë që vëllai ynë, Bislimi, për shkak të organizimit të Demonstratës së Madhe më 26 maj 1981 së bashku me grupin e Reshtanit: Afrim Morinën, Sejdi Gegën, Hazir Morinën dhe Halil Morinën, ende ishte në kampet e përqendrimit jugosllav.

     Këto dy studente trimëresha ishin dënuar për shkak se më 19 nëntor 1982 në ndërtesën e lartë në qendër të qytetit, pikërisht “ditën e çlirimit” të Therandës nga fashizmi gjerman dhe italian, që u çlirua me gjakun e partizanëve shqiptarë, kishin ngritur banderolën me shkronja të zjarrta “KOSOVA REPUBLIKË”. Banderola kishte qenë një rrip i gjerë dhe i gjatë pëlhure, që si meridian mbulonte pothuaj të gjitha dritaret e banesave të ndërtesës pesëkatëshe. Vlen të theksohet se derisa qiraxhinjtë pushtetarë u tmerruan për errësimin e papritur të dritareve të tyre, përjashta shkreptiu banderola duke tërhequr vështrimin e popullit shqiptar të etur për liri dhe pavarësi kombëtare.

     Nuk vonoi dy-tri orë, organet policore në krye me udbashët Ukë Gashi dhe Sahit Zogaj i arrestuan flakadanet e lirisë kombëtare - Shemsije Elshanin dhe Teuta Bekteshin. Këto studente, Shema dhe Teuta, ishin motra luftëtare për çështjen kombëtare shqiptare, ishte zëri i mëmëdheut që këto bija trimëresha i thërriste për Kosovën Republikë. Dy motrat nuk ishin të vetme, ishin pjesë e revolucionit për çlirim dhe bashkim kombëtar të popullit shqiptar; për thyerjen e prangave të robërisë shekullore nën çizmen e kolonizatorit serbosllav. Populli shqiptar kishte kaluar 500 vjet robëri nën perandorinë turke dhe 100 vjet nën perandorinë sllave, tani kishte ardhur koha që sundimit gjashtë shekullor t’i jepet fund.

     Më vonë, këto dy motra të idealit kombëtar, me një aktgjykim të sajuar në kabinetin e Beogradit, u dënuan në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit të kryesuar nga gjykatës Orhan Rekathati. Kësaj radhe nuk sollën spiunë të paguar me para të pista, siç kishin vepruar një vit më parë në gjykimin e organizatorëve të demonstratës së Therandës në vitin 1981 nga i njëjti gjyqtar, Orhan Rekathati. Oh, sa keq, edhe spiunët flisnin shqip, ashtu siç flisnin gjyqtarët shqiptarë të Kosovës. I vetmi dallim ishte se në kohën kur u dënua udhëheqësi i grupit revolucionar, Adem Demaçi, në gjykatore flitej serbokroatisht, tani në gjykatore flitet shqip, mirëpo qëllimi i dënimit të kryengritësve shqiptarë kishte mbetur i njëjtë. Duke sikur gjuha shqipe ishte mësuar sa për të kryer shërbimet e fashizmit serb.

     Banderola revolucionare e shkruar me duart e sokoleshave shqiptare po fliste vetë për Kosovën Republikë; po fliste për të drejta të barabarta të popullit shqiptar; po fliste për bashkimin e shumëpritur kombëtar. Për nga numri i banorëve populli shqiptar zinte vendin e tretë në federatën e madhe jugosllave, fill pas serbëve dhe kroatëve, por nuk kishin të drejtë të bëhen zot shtëpie, që të vetëvendosin për fatin e atdheut të shkëputur nga trungu i moçëm shqiptar. Kjo e drejtë ishte mohuar në Kuvendin e dhunshëm të Prizrenit në vitin 1945, duke pushkatuar Vendimin Historik të Konferencës së Bunjajit të themeluar një vit më parë për Bashkimin e Kosovës me shtetin amë - Shqiperinë.

 

Teuta Bekteshi dhe Shemsie Elshani

     Titistët ishin tronditur kur kishin parë banderolën “Kosova Republikë”, kishin thënë se këtë banderolë kaq të madhe vetëm fabrika e trikotazhit mund ta punojë. Gjatë seancës së gjykimit të Shemsijes dhe Teutës banderola për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb qëndronte në tryezën e gjyqtarit, Orhan Rekathatit. Vështrimi i qytetarëve të pranishëm në sallën e gjykimit më shumë përqendrohej në vajzat sypatrembur dhe në banderolën e palosur mbi tryezë, se në trupin monstrum të gjykatësit që ishte rritur me bukën e Kosovës, por që pa vetëdije vazhdonte t’i shërbente pushtuesit gjakatar serb. Dukej sikur Serbia Fashiste ishte e varfër me gjyqtarë, prandaj juristët shqiptarë ia ngjitnin dorën. Gjyqtarët e tillë kishin dalë nga Universiteti heroik i Kosovës, i cili nuk u hap me vullnetin e komunistëve jugosllavë, as me lutjet e fetarëve, as me qortimin e Europës plakë, por me anën e demonstratave të përgjakshme të studentëve shqiptarë në nëntor të vitit 1968, siç thotë populli jo me lutje, por me grykën e pushkës.

     Me mijëra demonstrues shqiptarë janë torturuar dhe dënuar në shërbim të fashizmit serbosllav nga kokat robotike të gjyqtarëve shqipfolës, vetëm pse kishin kërkuar liri kombëtare, siç thotë vargu atdhetar i Asdrenit “Nuk duam asgjë, nuk, vetëm armë dhe ca bukë”. Edhe pse pushteti i atëhershëm jugosllav i torturoi dhe i dënoi me burg të rëndë Shemsijen dhe Teutën, megjithatë këto dy vasha atdhetare, njëra nga Theranda - tjetra nga Kumanova, mbetën të pathyeshme për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, përkundër torturave të rënda nga shkopinjtë e udbashit Daut Morina, ani me mbiemër shqiptar “Morina”. Prandaj sapo u shpallë aktgjykimi serbofashist nga trupi gjykues, trimëreshat shqiptare ngritën grushtet e besës kombëtare, shenjë për vazhdimin e revolucionit drejt fitores përfundimtare. Qëndrimi i tyre i palëkundshëm të përkujtonte dy heroinat e popullit, anëtare të Rinisë Komuniste, Persefoni Kokëdhima dhe Bule Naipi, kur në verë të vitit 1944 në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër u varën në litar nga forcat e nazizmit gjerman.

     Shkrimtari i mirënjohur, Rushit Ramabaja, shkruante se këto dy vasha shqiptare (lexo: Teuta dhe Shemsije) kishin dalë prej mitit. Ishin vajza të malit që e urrenin pushtuesin, prandaj luftonin. Pushtetarët titistë kishin menduar se pas përgjakjes dhe dënimit makabre të demonstruesve të vitit kreshnik 1981, shqiptarët do të gjunjëzohen. Përkundrazi kërkesa e ligjshme për Kosovën Republikë u bë më e fuqishme, më e zëshme dhe më e flaktë, që nga gjumi zgjoi mbarë diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare.

     Shema, kështu e thërrasim shkurt ne të shtëpisë, ishte anëtare e Shoqërisë kulturore artistike “Jehona” të Therandës, këndonte dhe i binte bukur çiftelisë së bashku me shoqen nga Drenica kreshnike, Bege Gashi, e cila ishte një këngëtare e mirënjohur me këngët e saj për trimat e Kosovës. Begeja, si me trup ashtu edhe me zërin e saj të bukur i ngjante artistes tropojane, Fatime Sokoli, me zërin kumbues. Po ku i gjente ime motër ato shoqe të dashura, të vyeshme dhe trime: në Karadak, në Pollog, në Drenicë, në Llap. Ajo kishte bërë më shumë se Bislimi dhe se unë, kishte vizituar veteranen e popullit shqiptar, Hyrije Hanën, përndryshe motra e dëshmorit - Xheladin Hana. E kishte vizituar trimëreshën e gjallë shqiptare, në kohën kur emri dhe vepra e saj luftarake i tmerronte armiqtë e kombit shqiptar.

 

 

                                                                                                                                                                      © Pashtriku.org, 26. 05. 2011

 

 

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të 26 majit 1981 në Therandë

 

 

VEPRIMTARIA ILEGALE NË THERANDË

DHE DEMONSTRATAT E 26 MAJIT 1981

 

 

     Pranvera e madhe historike e vitit 1981 më gjeti në Therandë si profesor i shkencave natyrore në QAMO “Jeta e Re”. Isha edhe kujdestar i klasës së katërt/ shtatë (4-7). Këto ngjarje ishin të një rëndësie të veçantë për të gjithë shqiptarët, e në veçanti të atyre nga trojet e ndara prej Shqipërisë. Ato lëkundën themelet e Federatës Jugosllave, dhe çuan në shkëputjen prej saj të të gjitha republikave, e më në fund edhe asaj të Kosovës. Edhe në Therandë demonstratat e vitit 1981, si në çdo qendër të Kosovës, ishin vazhdim i luftës së pandërprerë gjatë gjithë historisë, e në veçanti nga shekulli i 19.

     Edhe më herët, por sidomos pas vitit 1968, në Therandë do të vazhdojë aktiviteti atdhetar përmes organizimeve kulturore, përmes shpërndarjes dhe leximit të literaturë ilegale etj. Rast i veçantë, që nuk  duhet harruar, është organizimi ilegal atdhetar kundër politikës së regjimit “vetëqeverisë” të RSFJ- së, në vitin 1977. Një grup i nxënësve të QAMO “Jeta e re”, që ishin anëtarë të kryesisë së klasës së dytë: Ibrahim Shala, Halil Krasniqi dhe Fadilete Shala, me nxënës tjerë, vendosën që me 28 Nëntor ta bojkotojnë mësimin (ditë e hënë), për nder të Festës së flamurit, që ishte edhe ditë e Pavarësisë së Shqipërisë. Pas këtij bojkoti filluan hetimet indirekte nga shërbimi i sigurimit. Drejtori i shkollës, Rrahman Zeqiraj, do të mbante mbledhje të vazhdueshme, duke i marrë në pyetje të gjithë nxënësit e kësaj klase, dhe do të pasojnë dënimet parapërjashtim dhe thyerja e notës së sjelljes në njësh (1). Kjo nënkuptonte që suksesi i këtyre nxënësve do të përgjysmohej. Kjo u pa në fund të vitit shkollor, sepse të gjithë këta nxënës kaluan vitin me sukses të mirë, pra me tresh (3), ndërsa e meritonin suksesin shembullor. Pas vitit të dytë bëhej orientimi profesional i nxënësve, sepse kishim sistemin e arsimit të orientuar. Në shkencat natyrore orientoheshin kryesisht nxënësit më të aftë, për të studiuar shkencat ekzakte apo mjekësinë. Në vitin e tretë do të intensifikohet veprimtaria ilegale e këtyre nxënësve.

     Për të kundërshtuar demagogjinë e politikes titiste, se çështja shqiptare qenkësh e zgjidhur drejtë, vendosën për ta formuar “Organizatën Marksiste - Leniniste” nën udhëheqjen e Ibrahim Shalës nga Mushtishti. Anëtarë të tjerë të kësaj organizate për Therandën ishin: Fadil Vata - Sallagrazhdë, me pseudonimin Lulëzim Kodra, Halil Krasniqi - Maqitevë, me pseudonimin Gur Bardhi, Murat Bytyqi - Therandë, me pseudonimin Bashkim Dheu, Naser Selimi - Therandë, me Afrim Rrafshi, Shemsije Elshani - Therandë, Fadilete Shala - Samadragjë, Dashurije Syla - Slapuzhan, Shpresa Baraliu - Bukosh. Këtij grupi më vonë do t’i bashkëngjiten një gjeneratë më e re: Ymer Bala - Doberdelan, Drita Lumi - Therandë, Besim Lumi - Therandë, Agim Kollolli - Budakovë, Kadri Veseli - Reqan dhe Islam Spahiu - Opterushë.

 

Fadil Vata (10.01.1962 - 25.04.1990)

     Këta mbanin lidhje me studentet në Prishtinë përmes Ibrahim Shalës dhe Fadil Vatës. Studentët ishin: Ramadan Veliu, Ymer Grainca, Emrush e Bajrush Xhemajli, Besim Baraliu, Rrahman Llugaxhiu, Agim Kololli etj. Ibrahim Shala do të angazhojë Sadik Halitjahën - punëtor në Ballkan të Therandës, dhe këtë grup do ta ndihmojnë: Billall Osmani nga Mushtishti - punëtor i INA’ës në Therandë, Muhamet Hazir Berisha - Baci Metë - punëtor në Ambulancë të Therandës, Mehmet Mustafa, Emin Zeqiri etj. Ibrahim Shala do t’i zgjerojë radhët përmes  kontakteve me aktivistët në Prizren: Xhevat Hasani - mjek, Arsimtari që dinte për aktivitetin e organizuar të tyre ishte Shefki Muqa. Dhe në një formë, direkte apo indirekte, do të përkrahen edhe nga: Alush Morina - mjek, Bajram Kurti - prof., Halim Baraliu, Mehmet Sopi - prof., Bexhet Berisha - prof. Këta të rinj përveq  aktivitetit atdhetar, zhvillonin edhe aktivitete kulturore: orë letrare, teatrale etj. Aktiviteti kuklturor do të udhëhiqet nga Prof. Ramadan Shala, Afrim Morina, Bislim Elashi, Sherif Gashi, Ferat Morina dhe Halil Morina.

     Këta kishin aktivizuar edhe nxënës që kishin talent në këto fusha: Beqir Bekteshin, Ymer Balajn, Drita Lumin, Halil Krasniqin, Fadil Vatën, Islam Spahiun, etj. Këta do të lexojnë e shpërndajnë material propagandistik të ndaluar, si: veprat e E. Hoxhës, Lahutën e Malësisë të Gjergj Fishtës, Mërgatën e qyqeve të Nasho Jorgaçit, gazetën “Zëri i Popullit”, revistat: “Shqiperia e Re”, “Ylli”, “Nëntori”, revista këto që i siguronte Beqir Elshani, bibliotekar i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Në vitin 1979 krahas këtij grupi dhe në bashkëpunim të ngushtë në Therandë kanë vepruar edhe Rrahman Llugaxhiu, Xhavit Basha,  Mehmet Berisha etj., që ishte i lidhur me Riza Salihun e Hysen Gegën në Gjermani.  Ky grup do të zbulohet në nëntor të 1979. Hetuesinë e zhvillonin operativistët e UDB-së, Selajdin Kastrati, Vesel Krasniqi, Astrit Koshi, të cilit përdorën lloj-lloj torturash ndaj këtij grupi të të rinjve. Pason dënimi (1980) i Ibrahim Shalës dhe  Rahman Lugaxhiut me nga 5 vite  burg dhe Besim Baraliut me 3  vite burg. Të tjerët do të lirohen me kusht. Në këtë vit do të torturohen 800 vetë, kryesisht të rinj, nxënës, studentë dhe punëtorë. Në vitin 1981 do të burgosen dhe dënohen Fadil Vata, 6 vite burg të rëndë, Murat Bytyqi, 5 vite burg të rëndë dhe Naser Selimi 3 vite burg të rëndë. Më vonë do të burgoset edhe Halil Krasniqi dhe do të dënohet me dy (2) vjet burg të rëndë. Torturat dhe dënimet e këtyre të rejave dhe të rinjve, ishin të dhimbshme, po krenare dhe nuk ndaluan drejtë lirisë.

     Në vitin 1980 do të vazhdojë aktiviteti atdhetar i Fadil Ndrecës, Mejdi Gegës (vllau im), Osman Shalës, Islam Demirit, grup i cili do të furnizohet me trakte dhe literaturë ilegale nga Hysen Gega i cili e sillte materialin te Ali Ahmeti nga Batusha e Gjakovës, mësues në fshatin Maqitevë, (të cilin do ta takojë në burgun e Prizrenit në dhomën nr. 30). Ai gjatë pushimeve verore kishte punuar në Gjermani, duke rënë në kontakt edhe me atdhetarë të tjerë, si J. Gërvalla me shokë. Aliu në vitin 1980 do të dënohet me disa vite burg. Për shpërndarje të trakteve të “Frontit të kuq“ në Therandë me rrethinë, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Kelmendi, në vitin 1980 do të arrestohen Mejdi Gega dhe Fadil Ndreca dhe do të torturohen çnjerëzisht nga UDB’ashët në Therandë. Torturës nuk do t’i shpëtojë as edhe Remzi Gega ( vvlau im ), invalid.  Literaturën ilegale në atë kohë, të cilën rinia e Therandës e shpërndante për qytetarët e Therandës, nga mërgimi e sillte Hysen Gega me shokë. Në mbarim të vitit 1980 dhe në fillim të vitit 1981 vepronte edhe një grup i të rinjve: Xhemajl Rudi, Agron Zyba, Sadri Zyba, Agim Selmani, Azem Kolgeci, Faton Kolgeci, të gjithë nxënës të shkollës fillore në Bukosh. Këta do të shpërndanin pamflete, do të shkruajnë parulla në mure dhe në rrugë. Për këtë do të denohen Xhemajl Rudi dhe Agron Zyba me nga 15 ditë burg në gusht 1981. Më vonë si grup do të arrestohen në shkurt të 1982: Agroni, Sadriu, Agimi, Azemi dhe Fatoni dhe do të dënohen si vijon: Xhemaj Rudi më 1 vit e 6 muaj dhe të tjerët më nga 1 vit burg. Në mars të vitit 1981, në çdo mes familjar, punëtorë, studentë etj, do të shprehet dhimbje për të rënët në Prishtinë gjatë demonstratave, dhe këtë dhembje duhej shndërruar në forcë përmes organizimit të vazhdueshëm për rrugëtimin drejt lirisë.

     Bisedohej për pozitën e vështirë ekonomike, përkundër pasurive të nëntokës që kishte Kosova, dhe që nuk mund t’i shfrytëzonte për të përmirësuar mirëqenien e popullatës, për shkak të politikës antishqiptare që udhëhiqte klika titiste. Bisedohej për padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve dhe për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore të Kosovës nga Serbia etj. Demonstratat ndikuan jashtëzakonisht në ngritjen dhe në ndërgjegjësimin e vetëdijes kombëtare.  Ngjarje këto, jo vetëm që hapën një faqe të re historike për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, por ishin  thirrje në ndërgjegjen e  çdo shqiptari, për vazhdimin e luftës për liri e bashkim kombëtar. Të flasësh për demonstratat e 81’ës e të mos e përmendësh kontributin e  Shqipërisë, konkretisht ligjëruesve të Shqipërisë në Universitetin e Kosovës, të cilët jepnin dije e shpërndanin rreze lirie, do të ishte e padrejtë. Të mos përmendësh përkrahjen morale e politike të saj për të drejtat tona, për vetëvendosje deri në shkëputje nga Jugosllavia, është sikur të mos i përmendësh qëndrimet e kastës politike të Kosovës, prej kuislingëve në krye me Azem Vllasin, për vlerësimin e demonstratave, si „kundër revolucionare“, kundër „Vëllazërim - bashkimit“, vlerësime këto që i dhanë të drejtë Federatës Jugosllave për ta vënë Kosovën në shtetrrethim, që toka e ajri të nxihej, që të terrorizohej rinia duarthatë e e pa pambrojtur. Rrahjet, largimet nga puna, plagosjet, vrasjet, bastisjet dhe proceset e kurdisura politike bëheshin nën akuzën: „irredentiste, separatiste, kundërrevolucionare, terroriste etj.”

     Në mars 1981, në QAMO - “Jeta e Re” do të zëvendësohet nga komiteti lokal i  LKJ-së drejtoria e shkollës me drejtori të dhunshme: Sokol Basha – kryetar, Ramiz Lumi dhe Musli Kabashi anëtarë.

     Pas deklarimit publik të Shqipërisë përmes shtypit dhe Radiotelevizionit më 8 prill të vitit 1981, në shumë gjuhë të botës, me ç’rast Shqipëria merr në mbrojtje Kosovën dhe përkrah të drejtat e shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu i saj, duke i arsyetuar në pikëpamje politike dhe historike, kulturore dhe sociale, si një të drejtë universale për vetëvendosje, LK e Jugosllavisë, përmes aktivistëve të vetë të “devotshëm“, kryesisht shqiptarë, organizon mbledhje për diferencime nëpër të gjithë kolektivat punues e organizata të tjera duke dënuar demonstratat si dhe politikën e Shqipërisë, si nxitëse të demonstratave në Kosovë. Në shkollën tonë,  QAMO „Jeta e Re“,  erdhën disa aktivistë, e ndër ta ishin: Mehmet Maliqi (Mehmet Cikuli), që unë e pashë për herë të parë, Remzi Kolgeci, Ymer Gashi, Qerim Gashi, Isuf Shabani, si Kryetar i Komitetit të LKJ- në Therandë. Diskutimin e filloi Mehmet Maliqi, si njeri më i vjetër dhe si funksionar me pozita më të larta. “Shqipëria, po na përzihet në punët tona të brendshme, se po e nxit nacionalizmin e irredentizmin... Se ai “Zëri i rinisë”, (aludonte për “Zërin e Popullit”-S.G) në Shqipëri, aq mirë i kishte ujdisur ato rrena në Komunikatë, sa edhe gruan time ma ka shti me qajt mbrëmë”. Remziu, ndërhyri ngadalë, dhe i tha, “Jo “Zëri i Rinisë”,  se është gazetë javore e rinisë së Kosovës, por “Zëri i Popullit”, gazetë ditore në Shqipëri”. Ai i nervozuar i tha, se, “Dreq ai Zëri atje dhe dreq ky këtu”. Kjo për mua dhe për disa të tjerë aty në mbledhje ishte shumë domethënëse, deri sa një grua e një  funksionari që i dënonte demonstruesit, dhe i fyente edhe si studentë të dështuar, si pleh i Kosovës etj., e ka kuptuar shkrimin e ZP si shumë të drejtë, për faktin se ai e ka ngacmuar në ndërgjegje. Kjo edhe për faktin, se kërkesat kishin dalë tashmë hapur në demonstrata, si „Kosova Republikë“ etj. Në takim kishte prej atyre që me vetëdije të plotë sikur po bënin punë patriotike, vullnetarisht villnin vrer kundër demonstruesve dhe Shqipërisë, dhe me kënaqësinë më të madhe  diferencoheshin nga nxënësit, po edhe nga vetë kolegët që nuk donin t’i dënonin demonstruesit, me kërkesat, sipas tyre, „armiqësore“.

     Në mars të 1981, nga pozita që kisha, si profesor Gjimnazi, mundohesha për të bërë më shumë në përkrahje të kërkesave të drejta të studenteve për Kosovën Republikë. Në një takim, jo të rastësishëm, me Afrim Morinën, që ishte dhe dajë i babës, biseduam për demonstratat dhe shqyrtuam mundësinë e organizimit, jo vetëm për t’iu kundërvënë reprezaljeve të ushtruara nga shteti, por edhe për të organizuar dhe orientuar këtë revoltë që ishte edhe në komunën tonë. Ne biseduam dhe u pajtova me qëndrimin e Afrimit, që me shokë të organizuar të bëjmë ç’është e mundur për t’iu kundërvënë më me ngulm përpjekjeve ogurzeza të regjimit titist, por edhe për të organizuar një demonstratë. Më vonë mësova se ishin të organizuar Hazir Morina dhe Halil Morina, kushërinj të Afrimit. Më vonë u aktivizua edhe Bislim Elshani, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe nga Theranda, i punësuar në gjimnazin “Jeta e re”. Çdonjëri prej neve kishim edhe bashkëpunëtorë të tjerë, nxënës, studentë, punëtorë, fshatarë etj.

     Në demonstratën e Prizrenit më 25 Mars të vitit 1981, e mërkurë (ditë tregu), do të marrin pjesë dy grupe të nxënësve nga Theranda (afërsisht 60 nxënës) nën udhëheqjen e Ymer Balës dhe Mejdi Gegës. Për organizim dhe pjesëmarrje në demonstratën e Prizrenit do të dënohen si vijon: Ymer Bala nga Dobërdelani dënohet me gjashtë (6) vite burg të rëndë, Nexhmije Demiri - nxënëse nga Mushtishti, me gjashtë (6) vite burg të rëndë, Fatmirë Zekolli - Bllacë, më shtatë (7) vite burg të rëndë dhe Begzad Gashi nga Ballacerka (Fortesa), Rahovec, student i SHLP në Prizren, me tetë (8) vite burg të rëndë. Me dy prill të vitit 1981 do të izolohet Haxhi Zyba ish-i burgosur politik, e më vonë edhe këta:  Xhevat Kabashi, Izet Baraliu, Nezir Gashi, Nuhi Kuqi, Ramadan Shala, Gafurr Kabashi, Mejdi Përzhaku, Haxhi Emini, Shaip Kreziu dhe Eqerem Kryeziu.

     Vlen të përmendet se arrestimit të prof. Ramadan Shalës i parapriu mbledhja diferencuese në gjimnazin “Jeta e re”, e organizuar nga administrata e dhunshme e shkollës dhe nga komiteti komunal i LKJ-së, me ç’rast arsimtarët, të detyruar me pjesëmarrje, detyroheshin të shpreheshin kundër, përkatësisht, t’i dënonin demonstratat studentore të mars-prillit 1981. Mbledhje të tilla në atë kohë me urdhër nga Komitetet qendrore të LKJ po zhvilloheshin në kolektivat punues e nëpër organizata të tjera në mbarë Kosovën. Gjithashtu vlen të përmendet se arsimtarët që refuzuan t’i dënonin demonstratat ishin: Prof. Bajram Kurti, Prof. Bexhet Berisha, prof. Bislim Elshani, ndërsa në mënyrën më të qartë, prof. Ramadan Shala. Arrestimi i tij nxiti një protestë spontane të drejtuar nga prof. Bajram Kurti, të cilit iu bashkua një pjesë e madhe e arsimtarëve dhe qytetarëve nga Suhareka, të cilët marshuan mes-përmes qytetit, deri ke Stacioni i Policisë komunale, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të prof. Ramadan Shalës. Tubimi u shpërnda pas fjalëve dhe premtimeve mashtruese të drejtuesve komunalë, se nuk bëhej fjalë për arrestim, po vetëm për një izolim të përkohshëm, pa ndonjë pasojë për punën e tij të mëtejshme.

     Unë isha marrë  në biseda informative nga sigurimi Jugosllav dhe një herë tjetër nga Kryetari i Komitetit të LKJ-së, Jusuf Shabani në Therandë në prezencën e Hasan Tahirit, aktivist i LKJ nga Mushtishti, dhe Ukshin Bicajt, prof në Gjimnaz të Therandës, por në të njëjtën kohë edhe si edukator i pranuar zyrtarisht në burgun e Dubravës, që ishte në ndërtim e sipër, të cilin do ta takoj më vonë në burgun e Lepoglavës, po në cilësinë e edukatorit. Në këto biseda informative isha i akuzuar se unë qëndroj në krye të këtyre organizimeve në Therandë, se unë isha në dijeni se do të shpërndahen trakte dhe literaturë e ndaluar armiqësore, etj. dhe me kërcënoi, se një ditë do të më arrestojnë, po fatmirësisht ata nuk kishin fakte konkrete përveç rastit të telegramit ngushëllues për vdekjen e Titos, për të cilin të gjithë i duartrokitën përveç meje, dhe të dy vëllezërve që ishina arrestuar dhe torturuar më parë. Ne ishim të vetëdijshëm se veprimtaria çlirimtare ka krenarinë, po ka edhe çmimin e jetës, ka sakrificën e familjes, mirëpo ishim përcaktuar me vetëdije për këtë. Pavarësisht konsekuencat, ne vazhdonim aktivitetin.

     Takimi i parë i grupit tonë, në mungesë të Hazir Balës dhe Asllan Kurtishajt, u bë më datën 28 prill 1981 në shtëpinë e Fazli Morinës, i cili edhe e bëri sigurimin e takimit, ndërsa takimi tjetër është mbajtur në një kasolle të Haxhi Ymer Gashit nga Studençani. Edhe në këtë takim nuk ishin të dy të apostrofuarit, por Afrimi nga Islam Morina kishte kërkuar që ta sillte në takim edhe Halit Demirin nga Mushtishti, por nuk e kishte gjetur në shtëpi. Në këtë takim marrin pjesë edhe Shefki Gashi dhe Ruzhdi Gashi. Këta të dy e bëjnë edhe sigurimin e takimit. Në këto takime i analizonim ngjarjet dhe merrnim qëndrime se si të veprohet tutje, duke ndarë edhe detyra. Organizimi i demonstratës ishte parësor, por planifikonim t’i përgatisnim qytetarët edhe me bojkotimin e mësimit të nxënësve. Nga ky grup u caktua data e mbajtjes së demonstratave, atëherë kur pushtetarët  ishin të sigurt se ka filluar gjendja të qetësohej në Kosovë. U vendos për parullat që do të përdoren në demonstratën e 26 Majit 1981, ditë tregu në Therandë,  se kush do t’i shkruajë parullat. Kjo detyrë iu besua Bislim Elshanit i cili duhej t’i linte ato në një vend të sigurt nga mund të nxirreshin. Parullat do të kishin këto përmbajtje: “Pa republikë nuk ka barazi”, “Poshtë shovinizmi serbomadh”, “Të lirohen shokët tanë nga burgu, se ata janë lulja më e mirë e Kosovës” etj. Për marrjen e parullave u caktua Mejdi Gega, që më pas t’i shpalosnin ato bashkë me Ruzhdiun. Nga Afrimi u propozua që demonstrata të fillojë me këngën “Dal ngadalë po vjen behari”, pesëmbëdhjetë minuta para orës tre pasdite, sepse në atë kohë bëhej ndërrimi i punëtorëve në fabrikën Ballkan dhe nxënësit e klasave të ulëta ishin në shtëpi. U caktua edhe vendi ku do të fillonte demonstrata dhe grupi që do ta niste atë. Aty ishin paraparë të ishin: Met Krasniqi nga Arbana e Prizrenit, Hysni Gega nga Stedençani, Emërllah Krasniqi nga Studençani etj.

     Dita e demonstratës ishte e martë dhe Afrimi do të arrestohet tri orë para se të fillonte ajo. Policia do të intervenojë në shpërndarjen e demonstratës dhe keqas do të trajtohen: Afrim Hoti, Hamëz Kryeziu, Ruzhdi Gashi, por tortura më të mëdha do të bëhen ndaj Mejdi Gegës, jo vetëm në rrugë por edhe në postëkomandë të policisë. Të nesërmen do të arrestohen Bislim Elshani, Halil Morina dhe Sejdi Gega, ndërsa pas kthimit nga Sllovenia, që kishte shkuar po në ditën e demonstrimit, do të arrestohet më 11 mars edhe Hazir Morina. Nga prokurori Jakup Gurmani do të ngritët aktakuza në bazë të nenit 136 alinea 1, dhe të do mbahet procesi gjyqësor në Gjykatën e Prizrenit, i udhëhequr nga Orhan Rekathati, i njohur edhe për proceset kundër grupeve studentore në Prishtinë, dhe janë shqiptuar këto dënime:

     Afrim Morina, student, me shtatë (7) vjet burg të rëndë

     Bislim Elshani, profesor, me shtatë (7) vjet burg të rëndë

     Sejdi Gega, profesor, me gjashtë (6) vjet burg të rëndë

     Halil Morina, arsimtar, me pesë (5) vjet burg të rëndë

     Hazir Morina, student, me pesë (5) vjet burg të rëndë

     Aktiviteti atdhetar në Komunën e Therandës do të vazhdojë deri në formimin e UÇK-së dhe në çlirimin e Kosovës me një intensitet herë më të lartë e herë më të ulët edhe nga shumë të rinjtë të tjerë që morën në dorë stafetën e rezistencës. Vlen të përmendet rasti për Një-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, kur Shemsije Elshani (motra e Bislim dhe Beqir Elshanit ) nga Theranda, së bashku më Teuta Bekteshin,  trimëreshën Kumanovare, që të dyja studente në Prishtinë,  në ndërtesën shumë-katëshe të gjykatës së Therandës, ku banonte burokracia titiste, prej dritares më të lartë deri në tokë lëshojnë banderolat 8 metra të  gjata me shkronjat e zjarrta „KOSOVA REPUBLIKË“ dhe „TË SIGURT DREJTË FITORES“.

     Që të dyjat do të arrestohen, dhe pas shumë tortuarave e mundimeve do të dënohen me nga dy vite burgim. Këto ishin dalluar edhe  në demonstratat e mëhershme të Prishtinës, së bashku me Shpresa Baraliun, Xhevë Lladrovcin, Teuta Hadrin dhe Qefsere Malajn, sidomos kur këndonin fuqishëm për lirinë. Kontributi i femrës shqiptare ka qenë i madh edhe në Therandë, posaçërisht i këtyre femrave: Nexhmije Demirit, Shpresa Baraliut, Shemsije Elshanit, Shyqerije Bytyqit, Nexhmije Baraliut, Myrvete Kryeziut (e cila nuk jeton më), Zyrafete Kryeziut, Shqipe Berishës,  e shumë të tjerave që nuk ishin në burg, po qendruan burrërisht para furtunave duke i rritur dhe edukuar fëmijët në frymën kombëtare. Në këtë 30-vjetorin e Pranverës së Kuqe të vitit të Madh 1981 më shkon mendje tek guximi, trimëria e rinisë. Ne sot mburremi për atë rini, që ishte vazhdues e denjë e rrugës së lirisë, tani më në kuader të LPRK-së më vonë të LPK-ës, për të cilen kishin rënë shumë dëshmorë. Më vonë këta të rinj do të bëhen ideatorë dhe projektues të UCK-së. Këta ishin ata që e zgjuan dhe ndergjegjësuan botën demokratike, evropiane e amerikane, për rrezikun që i kërcënohej jo vetëm Kosovës dhe popullit të saj.

     Rezistenca aktive në vazhdimësi, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës për liri, me shembullin unikal të flijimit të familjes Jashari, dhe luftën e lavdishme të UCK-së, pasuar nga masakra barbare e Reçakut dhe e të tjerave në Kosovë, e zgjuan edhe një herë botën demokratike dhe e bindën, se një popull po lufton më tërë qenien e vet për të shpëtuar nga shfarosja, për lirinë e tij dhe të drejtën për zhvillim të pavarur, gjë që në pranverën e vitit 1999 u përkrah dhe u ndihmua fuqishëm edhe nga forcat ushtarake të NATO-s. Kjo bëri që nga Kosova të shporret njëherë e përgjithmonë çizmja shtypëse e Serbisë. Pra çlirimi dhe misioni i pavarësisë ishte një përpjekje, një luftë e tërë brezash, kurse kurorë e gjithë kësaj ishte lufta çlirimatre, ishte sakrifica dhe gjaku i të gjithë atyre që ranë për lirin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.

 

Sejdi Gega, Bachwisenstr 36 Winterthur - CH

Te. 052 232 2209 + 076 706 77 65

sejdigega@hotmail.com - Shkurt 2011, 11.05’11

 

 

     Autori - Sejdi Gega, ka lindur më 16.04.1955 në fshatin Studençan, K.K. Therandë. Është Inxhinier i diplomuar i Teknologjisë në Mitrovicë, ish’ i burgosur politik, profesor i lëndëve të shkencave natyrore në QAMO’n - “Jeta e RE” në Therandë, nga viti 1979. Organizator me shokë të tjerë i demonstratës në Therandë, po dhe në Prizren. Punimi është mbështetur nga shkrimet e anëtarëve të grupeve ilegale: Ibrahim Shalës, Murat Bytyqit, Shemsije Elshanit, Ymer Balës, Mejdi Gegës dhe nga Afrim Morina, Xhemajl Rudi dhe Agron Zyba. Punimi është mbështetur edhe në aktgjykime e dokumente të tjera juridike. Etj.

 

.

 

 

Shemsie Elshani së bashku me Teuta Bekteshin.

 

Heidelberg, 21. 05. 2011: Sejdi Gega me Adem Demaçin, Zeqir Gërvallën, Ramadan Pllanën etj.

Veprimtari Bislim Elshani...

 

                                                                                   © Pashtriku.org, 25. 05. 2011

 

 

Gjykimet e intelektualeve 1981 - 1984

 

Me rastin e 29 vjetorit të demonstratave të ’81’shit

 

PRANVERA E MADHE E VITIT 1981

 

 

 

Shkruan: Ibrahim I. Shala

 

    Për ngjarjet e pranverës së madhe të vitit 1981 është shkruar shumë gjatë këtyre 20 viteve, për dhe kundër, varësisht nga pikpamjet dhe qendrimet politike të autorëve apo nga përkatësia kombëtare. Është me rëndësi trajtimi i këtyre ngjarjeve nga pikpamja politike dhe kombëtare. Me rëndësi është gjetja e përgjigjjeve  në shumë pyetje ekzistuese:

- Si u organizuan këto demostrata?

- Kush i organizoi?

- Cili ishte shkaku i tyre?

- Ishin të rastësishme apo të domosdoshme?

 -  Ishin të befasishme, si rrufeja në mot të kthjellët, apo pasojë e punës së vazhdueshme të

grupeve të organizuara?

Trajtimi i një mori pyetjeve të tilla komplekse kërkon një trajtim të thellë, serioz dhe të gjithanshëm. Rëndësia e një studimi të till shtohet edhe më shumë kur dihet që bartësit e këtyre demostratave kanë luajtur një rol të madh në ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme politike dhe ushtarake në Kosovë.

 

    I. Pak histori

    Historia e Levizjes tonë Kombëtare për liri dhe pavarësi  mund të ndahet në dy faza të përgjithshme:

    a) Periudha e parë gjerë më 1912 kur bëhet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ku në shtetin e ri shqiptarë të pranuar (njohur) ndërkombtarishtë, u përfshin gjysma e trojeve shqiptare, kurse  gjysma tjetër ngeli jashtë kufijve shtetëror.

    b) Periudha e dytë fillon pas 1912 në trojet etnike shqiptare të pushtuara dhe të aneksuara nga Serbia.

    Kjo levizje kombëtare me aspirata për çlirimin e tokave shqiptare vazhdoi pa nderprerje  (në forma të ndryshme) nga dita e madhe e pavarësisë deri më sot. Në fillim rezistenca njihet si kundërvenje e armatosur kundër pushtimit të parë serb, pastaj në pushtimin e dytë rezistenca e organizuar përmes Levizjes Kaçake dhe çetave të armatosura në Drenicë. Në kohën e pushtimit fashist nga rrethanat që u krijuan, po këtë aspiratë (ideal) e vazhduan forcat nacionaliste dhe patriotike në Kosovë përmes organizimit të çetave vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kjo përpjekje kulmin e vetë e arriti me orgaizimin politik me Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Me afrimin e fundit të Luftës së dytë botërore forcat e majta erdhën duke u forcuar përmes formacioneve të armatosura partizane, ishte e ditur  se këto forca do të ishin ngadhnjimtare. Pamvarësisht nga përcaktimi ideologjik çështja e pa zgjidhur kombëtre nuk mund të tejkalohej as nga Levizja komuniste, rezultat i kësaj ishte mbajtja e Konferencës së njohur të Bujanit. Në rezolutë të konferencës u vendosë që pas çlirimit Kosova ti bashkangjitej Shqipërisë. Me fitoren përfundimtare të forcave partizane dhe formimin e shteteve të reja komuniste, nga pala jugosllave që ishte më e fortë politikisht dhe ushtarakisht - u shkel kjo rezolutë-marrveshje e Bujanit. Shteti shqiptarë dhe populli shqiptrë i Kosovës ngeli i trathtuar përkundër gjakut që kishte derdhur në të ashtuçuajturën LNÇ.

 

Trinomi titist: Ali Shkuriu, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi

    Që në fillim kur u panë kahjet negative të zhvillimit të ngjarjeve, populli i Kosovës i revoltuar ju kundërvu kësa zgjedhe të re që po i vihej në qafë. Këtë më së miri e dëshmon Lufta heroike e Drenicës me në krye Shaban Polluzhën që në janar të 1945, Lufta e Gjilanit, Lufta e Ferizajit dhe beteja të tjera më pak të njohura. Në të 45 kemi ripushtimin e tretë të Kosovës nga ana e forcave jugosllave, por tash në një formëm të re, në emër të një ideologjie të re - asaj komuniste, ku fshiheshin mirë qellimet hegjemoniste serbe nën parullat boshe të kohës si: barazia nacionale dhe ekonomike e popujve të Jugosllavisë nën moton e vëllazrim bashkimit të të gjithë popujve të saj. Këtij ripushtimi komunistët jugosllavë i dhanë formën institucional-deklarative, duke inskenuar kuvendin e Prizrenit në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën kërcnimin e armëve, gjoja se shqiptarët u deklaruan vullnetarisht për qendrimin nën Jugosllavi, përkundër gjakut që kishin derdhur në mbrojtje të Kosovës.

    Me të parë realitetin e ri, se Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugoslavi ngelën njëherë për njëherë në anën jugosllave, patriotët e mirëfilltë nuk mund të pajtoheshin me ketë realitet të hidhur dhe të imponuar padrejtësisht. Si pasojë e këtij realiteti fillojnë format e ndryshme të organizimit politik ilegal për t’iu kundërvenë kësaj gjendje si dhe veprimet praktike për liri kombëtare. Kjo më së miri deshmohet me organizimin dhe veprimtarinë e PNDSH (Partia Nacional Demokratike Shqiptare). Rezistenca e organizuar në vazhdimësi edhe pse goditej, ajo perseri regjenerohej në forma të tjera të organizimit. Duhet të theksojmë se ka edhe interpretime tjera  të përcipta si: ”Ne u mësuam se si popull që hoqëm keq në socializëm, që nga viti 1945  deri më 1966, se edhe atëherë kur na ka munguar nacionalizmi, shteti e ka trilluar atë. Këtë e ka bërë, një, për ta fshehur nacionalizmin e vet, të cilin edhe ashtu nuk është kujdesur aq shumë ta fshehë dhe, nën dy: ta maltretojë dhe ta shkatërrojë sa më shumë popullin shqipëtarë në Kosovë” /Gjergj Rrapi, f.29 “Kosova e viteve të ndrydhura”, Prishtinë, 1993/.

     Me pjesën e parë të pohimit nuk mund të pajtohemi sepse nacionalizmin shqiptarë (që për ne ka qenë gjithmonë atdhetarizëm) nuk e ka trilluar shteti por ai ka ekzistuar gjithmonë, në vazhdimësi si pasojë e pushtimit. Ai ka ekzistuar me objektiva të caktuara, herë i organizuar më mirë e herë më pak.. Nuk mund të terhiqen paralele në mes të nacionalizmit shqiptarë dhe ati serb, sepse nacionalizmi serbë në esencë ka qenë hegjemonizëm i instaluar në administratën shtetërore. Kjo levizje kombëtare vijon gjer në vitin 1968, kur perjeton një ngritje kualitative dhe kuantitative. Në këtë vit për herë të parë kemi fenomenin e organizimit të demostratës si formë e protestës dhe artikulimit politik.  Klima nderkombëtare që krijoi Lëvizja studentore evropiane gjeti troll të fuqishëm në Kosovë duke u transformuar në demostrata të përgjithshme për avancim të statusit kombëtare.

     Në këtë demostratë u shtrua për herë të parë ndryshimi dhe njohja e statusit të popullit shqiptarë nga kombësi në komb. Kërkesa themelore kësaj demostrate ishte që t’i njihej Kosovës statusi i Republikës së barabartë në kuadër të RSFJ. Interpretimi dhe reflektimi i këtyre ngjarjeve në kujtesën kolektive të kosovarve ndikoi shumë fuqishëm në ngritjen e vetëdijes politike dhe kombëtare. Për analizën tonë është e rëndësishme të pranohet teza se: rezistenca kombëtare anti serbe dhe veprimtaria politike e organizuar për liri dhe pavarësi ka një kontinuitet historik të pakontestueshëm deri në pranverën e madhe të viti 1981.

 

    II. Si u zgjidh çështja kombëtare në ish RSFJ

    Parulla bazë e mobilizimit të popujve të Jugosllavisë në Luftën Antifashiste ishte parimi (premtimi); se pas çlirimit të gjithë popujt do të kishin të drejta të barabarta, se do të mund të zhvillohen lirshëm në kuadër të Federatës duke ndërtuar (kalitur) vëllazrim bashkimin. Për këtë çështje Dr. Gjergj Rrapi në mënyrë kushtore shprehet: ”Sikur të gjente shprehje  ideja e Mosha Pijades, i cili pat thënë  se “Zgjidhja e çështjes kombëtare edhe këtu  mund të arrihet  me formimin e republikës së lirë  punëtore fshatare të Kosovës”. Çështjet do të ndryshonin në interes të  të së vertetës së popullit shqiptar pa humbje të askujt”.. /f.85, po aty/.

    Kjo ishte vetëm një ide e thënë me gjysmë zëri dhe nuk ka marrë vlerë historike konkrete, ajo nuk u bë realitet përshkak të hegjemonizmit serb dhe në këtë rirregullim më së keqi kaloi populli shqiptarë sepse: a) si komb ngeli i ndarë më dysh, b) gjysma ngeli në kuadër të RSFJ-së, c) jo si njisi e barabart federale edhe pse i plotësonte të gjitha kushtet, d) nga pushteti qendror u nda në katër pjesë; Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore. Pika e fundit deshmon edhe njëherë qendrimin antishqiptarë të shtetit jugosllavë. Pa prejudikuar zgjidhjen e statusit të popullit shqiptarë, në fund të fundit le të quhej edhe Komuna e Kosovës, pavarësisht se në kuadër të cilës republikë do të ngelte, mjaftë të ishte njisi unike administrative.

    Por bashkimit dhe kohezionit shqiptarë si dhe substancës biologjike në rritje më së shumti i trembej Beogradi. Padrejtësisë teritoriale administrative i shtohej politika shtypëse dhe represive si dhe  antishqiptarizmi shtetëror që  ushtrohej përmes shpërnguljeve të dhunshme për në Turqi, apo  aksionit famëkeq gjoja për mbledhjen e armëve.Pak vite më vonë, Beogradi dhe Akademik Hajredin Hoxha dhe profesorë të tjerë  propagandonin se  çështja kombëtare në Jugosllavi ishte zgjidhur më së miri në botë, me te dhe vetë çështja shqiptare kur paturpësisht konstatonte: “Me këtë rast duhet të theksojmë se sipas Kushtetutës së RSFJ dhe kushtetutave të republikave dhe krahinave sigurohet jo vetëm barabarësia e individëve, e qytetarëve pa asnjë dallim, po edhe barazia e plotë e kombeve dhe e kobësive në të gjitha fushat”. / Dr. Hajredin Hoxha - Dr. Syrja Popovci  “Barazia e pakicave kombëtare”, f.73, Rilindja-1984, Prishtinë/.

    Me të drejtë shtrohet pyetja: pse ato të drejta që iu dhanë shqiptarëve me kushtetutën e vitit 1974, nuk iu dhanë që në fillim me 1945/6? Përkundrazi shqiptarët çdo të drejt duhej ta fitonin me mund dhe sakrificë, si në vijën ilegale ashtu dhe në ate legale. Gjendja që u krijua pas 1974 d.m.th nuk ishte pasojë e zemërgjersisë apo parimësisë së Beogradit, por rezultat i vetë angazhimit të shqiptarëve në të gjitha format e mundshme. Kushtetuta e vitit 1974 nuk piku nga qielli por ishte pasojë e kësaj levizje kombëtare që përjetoi nivelin më të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet të merret si ngritje në kuadër të procesit  e jo si rritje e aspiratës), sepse deri në këtë kohë shqiptarët në levizjet (kërkesat) e tyre politike  ishin shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit  në kuadër të shtetit federal jugosllavë. Kërkesa e re “Kosova Republikë” u imponua nga dy faktorë:

    1) Ndarja e botës në dy blloqe, zhvillimi i luftës së ftohtë dhe 

    2) Rregullimi federativ i shtetit jugosllav.

    Përderisa të ekzistonin këto rrethana shqiptarët e shihnin prosperitetin kombëtarë në ngritjen e statusit poltik të tyre si hap drejt zgjidhjes finale. Kuptohet këto ishin kërkesa dhe aspirata të Levizjes Popullore por që u përkrahën nga inteligjenca dhe një segment  i udhëheqjes politike  të vet LKJ-së së Kosovës. Duhet theksuar se kjo përkrahje qe e shkurtër dhe inerte. Megjiatë rrethanat e krijuara aktivistët e LKJ (udhëheqja legale) ditën për ti shfrytëzuar drejt dhe në menyrë efikase, duke marrë shkas në paknaqësin e 1968. Ata ditën të përfitonin kombtarisht, duke e avansuar statusin politiko- juridik të Kosovës i cili u sanksionua në kushtetutën e vitit 1974. Me këtë kushtetutë Kosova fitoi disa ingerenca gati shtetërore, themi gati sepse u gjet një solucion konsenzusi midis shqiptarëve dhe serbëve; Kosova ishte njësi autonome dhe pjesë konstituive e Federatës në kuader të Serbisë. Me këtë “zgjidhje” origjinale nga aspekti politiko-juridik u krijua një entitet (krijesë) i ri hermafroditë, në të drejtën e kombeve për vetëqeverisje.

 

Procese gjyqësore kundër intelegjencës sonë atdhetare!

 

    III. Kosova pas 1974-së

    Kosova që nga 1970 e sidomos pas 1974 Kosova përjetoi një përparim të dukshëm duke e krahasuar me vetvetën, si në aspektin ekonomik, politik, kultror, arsimor dhe të emancipimit kombëtarë. Meritorë për këtë përparim pa dyshim se është klasa politike e atëhershme së bashku me inteligjencën e cila po formësohej ngadalë. Ky përparim u përcoll me propagandë të madhe shtetërore  si në opinionin e jashtëm  e sidomos në atë të mbrendshëm, për prospertetin e pandalshëm, për zgjidhjen më të mirë të çështjes kombëtare, për barazinë e Kosovës me republikat tjera edhe pse kishte status të dyfisht: si pjesë e Serbisë dhe element konstituiv i Federatës. ”Me ndryshimet kushtetuese sidomos të vitit 1974 dhe me vendimet e LKJ u arrit barazia e plotë dhe e gjithëanshme juridike - politike e kombeve dhe e kombësive  të Jugosllavisë dhe tretmani i barabartë i kombësive me kombet e Jugosllavisë”. /Dr. Hajredin Hoxha - Dr. Syrja Popovci  “Barazia e pakicave kombëtare”, f.7, Rilindja-1984, Prishtinë/  ”Në këtë kuadër edhe kombësia shqiptare në Jugosllavi e realizoi barazinë e vet juridike politike  dhe kulturore  në aso shkalle që përnjëmend nuk është  e njohur  askund  në botën bashkëkohëse, kur është fjala për pakicat kombëtare” /Po aty, f.8/. ”Megjithëse krahinat nuk janë identike me republikat si shtete…” /Po aty, f.9/.  ”Krahinat janë njëkohsisht edhe subjekte të barabarta të Federatës dhe në kuadrin e RS të Serbisë…” /Po aty, f.9/.

     Kjo propagandë e fuqishme, kontradiktore dhe e panderprerë në një moment arriti efektin e tejngopjes tek ata që u ishte drejtuar. Realiteti po ndryshonte çdo ditë, dhe një propagandë e tillë ishte në kundërthanje të plot me shkallën e ngritjes politike, arsimore dhe kombëtare të popullatës shqiptare të Kosovës e në veqanti të rinisë studentore. Kushtetuta e 74 i kishte sanksionnuar gjërat vetëm si të momentit në mënyrë statike për kohën dhe hapsirën. Ajo nuk kishte llogaritur dinamikën e zhvillimit të një populli të ndrydhur. Përkundër meritave që pati klasa politike në një etapë të caktuar kohore në udhëheqjen e autonomisë së vitit 74 ajo pati edhe dobësi shumë të mëdha. Duke u mbështetur në vetëkënaqësi për ato që kishte arritur apo më drejt ishte vetëmjaftuar në punën e saj, duke u marrë me probleme të çastit e jo të perspektivës. Klasa politike shfrytëzoi minimumin e asaj që ofronte kushtetuta e vitit 74, fatkeqësisht ajo nuk mundi të shfrytëzoj as në mënyrë optimale ingerencat e sajë.

     Në fakt kjo klasë ka pasë për obligim kombëtarë dhe politik ta shfrytëzoj në maksimum këtë kushtetutë pa lënë vakum. Shqiptarët ishin popullatë në zhvillim dhe me këtë duhej bind në mënyrë të natyrshme vet udhëheqja, populli, Serbia dhe Federata, se korniza e të drejtave që u ishte caktuar më 1974 për shkak të rritës ishte e ngusht dhe po pengonte çdo ditë e më tepër, si pasojë e kësaj gjendje shqiptarët si etnitet të ferkoheshim (ballafaqoheshim) me Federatën për hapsirë më të gjerë lirie dhe zhvillimi. Si pasojë e kësaj kalimi nga një autonomi e shterruar maksimalisht në Republikë do të ishte proces i natyrshëm dhe shumë më i lehtë dhe më pa dhimbje. Edhe pse kushtetuta e vitit 1974 siguroi një varg të drejtash më të mëdha se më parë, ajo përseri nuk ishte zgjidhje sepse nuk e barazonte Kosovën me republikat tjera. Prandaj populli shqiptarë mbeti i zhgenjyer dhe i pa knaqur me zgjidhjet e ofruara gjysmake. Si pasojë e kësaj pakënaqësie pati organizime të grupeve ilegale që më programet e tyre parashikonin avancimin e zgjidhjes të çështjes kombëtare. Një kësi grupi u arrestua me 1975 më në krye Adem Demaçin, i cili arrestohej dhe denohej për të tretën herë. Për të njëjtën veprimtari më   1979 dhe 1980 pati përseri arrestime të disa grupeve dhe të individëve të ndryshëm.

 

     IV. Si u themeluan grupet ilegale

     Propaganda zyrtare e Kosovës dhe ajo jugosllave e kishte marrë për sipër që të plasonte si të vërtet pohimin se gjoja çështja kombëtare në Jugosllavi ishte zgjidhur më së miri në botë. Në këtë kuadër edhe pozita kushtetuese e Kosovës ishte zgjidhur në mënyrë më të drejtë; sepse Kosova ishte e “barabartë” me republikat tjera. Një konstatim të tillë e hudhte poshtë vetë realiteti, kjo na bënte që shpesh të dyshojmë edhe tek profesorët dhe ligjëruesit e këtyre pohimeve se a janë kah e dëgjojnë vetën se çfarë konstatime po na servirin, si po munden që në mënyrë jo logjike i barazonin ato që nuk mund të barazoheshin në mes tyre. Këto arësyetime përveq që na iritonin, na frustronin dhe na shtynin për të arësyetuar ndryshe, me logjikën e gjërave dhe jo me alkimi. Për nga natyra rinia studentore ishte jo konformiste, ajo nuk mund të pranonte një “arsyetim” të tillë, sepse e pengonte vetë ngritja intelektuale dhe  literature e trajtuar për çështjen nacionale. Ndikim të madhë për riaktualizimin e çështjes kombëtare dhe krijimin e një atmosfere patriotike, sidomos pas vitit 1978 pati edhe manifestimi i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë dhe në Shqipëri.

     Faktorët që ndikuan në formimin e kësaj klime janë të shumtë dhe kompleks që nuk mund ti numrojmë të gjithë këtu. Njerëz të paknaqur me gjendjen ekzistuese dhe me formim të lartë kombëtarë i hynë organizimit të grupeve të ngushta dhe të mbyllura. Në fillim trajtohej problemi i çështjes kombëtare, këmbimi i literaturës dhe mendimeve të cilat me kalimin e kohës merrnin formën e grupit të organizuar ilegal. Kjo nuk është ndonjë meritë e veqant e iniciatorve (themeluesve) të organizimit të grupeve ilegale, sepse po të mos e organizonte iks iniciatori në atë moment, sigurisht do ta organizonte një tjetër ndoshta me shumë pak vonesë. Në qendrat e mëdha të vendbanimeve ishin organizuar paralelisht nga 3-4 grupe pa e ditur për ekzistencën e njëri tjetrit. Ky fenomen na qon në konkluzionin se ishte krijuar një klimë e volitshme patriotike, logjika e veprimit dhe rrethanat objektive të qonin në të vetmen alternativë të athershme; në organizimin ilegal. Në fund mund të konstatojmë se grupet ishin produkt i rrethanave objektive të krijuara në momentin e caktuar si rezultat i ngritjes dhe zhvillimit të vetëdijes kombëtare. Këto grupe në tentim për të regrutuar bashkëmendimtarë binin në kontakt me njëri tjetrin dhe formonin grupe më të mëdha, kurse në rastet më të suksesshme edhe organizata me një shtrirje më të madhe.

     Grupet ilegale i kushtonin rëndësi të madhe hartimit të programeve dhe statuteve të organizimit. Zakonisht gjykimet për një organizim politik mund të jipen më së miri nga analiza e programit, sepse aty janë të shprehura në mënyrë të sakt qëllimet, platforma, mënyra dhe mjetet për realizimin e objektivave programore. Programet kanë ndryshuar shumë në mes grupeve të ndryshme, mvarësisht nga rrethanat si është organizuar grupi, grupmosha e të organizuarve dhe niveli i përgaditjes intelektuale. Lirisht mund të konstatojmë se në vija të përgjithshme kanë qenë të përafërta si: realizimi i statusit të Kosovës nga Autonomi në Republikë dhe ate si fazë e parë e më pastaj bashkimi me shtetin amë Shqipërinë. Mënyra e realizimit ishte graduale nga format më të ulta të rezistencës (si në fushën legale dhe ilegale dhe çdo herë kërkohej kombinimi i të dyjave) deri të format më të larta siq është rezistenca e armatosur dhe kryengritja.

     Platforma ideologjike ishte madhërimi nacional si ideologji kombëtare i kombinuar me ideologjin e marksizëm- leninizmit që imponohej (reflektohej) nga shteti amë. “Vlen për të theksuar se emërtimi i grupeve ilegale që i krijuan në atëkohë u ndikua nga sistemi politik që sundonte në RPSSH. Por në përgjithësi elementet që bënin pjesë në to nuk aspironin për fitoren e komuizmit e të stalinizmit por për të drejtat kombëtare të popullit shqiprar”. /Lefter Nasi - Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë 1981-1986, f.54.Tiranë 1995/. Shqipëria në Kosovë ishte fetishizuar sidomos nga brezi i ri. Nga ky interpretim në Kosovë Platforma politke kombëtare mori formë të nacional - romantizmit, kurse platforma ideologjike u formësua si romantizëm revolucionarë. Pavarsisht nga mundësit e ndryshme për interpretim spekulativ në kontekst të kohës, këto orientime si perfundim kontribonin në  ngritjen e vetëdijes kombëtare, mundësuan një rilindje kombëtare në kushtet moderne, aq shumë e domosdoshme për të vënë në levizje një popull të pushtuar për çlirim kombëtarë.

     Grupet ishin shumë militante dhe depertuese në veprintarinë e tyre e cila përseri ndahej në faza; faza e parë ishte propaganda e ideve kombëtare në popull në të gjitha mjediset dhe me të gjitha format e mundshme. Kjo veprimtari dhe pjesa e veprimtarisë legale që e theksuam më lartë krijuan atë disponim kombëtarë, niveli i të cilit rritej në mënyrë horizontale si mbushja e një bazeni me ujë. Që situata të fitojë rëndësin dhe dramacitetin e saj sherbyen edhe arresimet e disa grupeve ilegale në fund të 1979 dhe gjat vitit 1980. ”Gjat vitit 1979 dhe 1980 u zbuluan dhe u denuan tetë grupe nacionaliste - irridentiste. U identifikuan 680 persona qe vepronin nga pozitat armiqësore ….” /Sinan Hasani, Kosova të vertetat e mashtrimet, f.185, Rilindja - Prishtinë 1986/. Te grupet ilegale ishte krijuar bindja; se të gjithëve do të na zbulojnë dhe arrestojnë ende pa vepruar asgjë të rëndësishme, por vetëm për shkrim parollash, pamfletësh dhe nxjerrje të gazetave ilegale. Kjo logjikë duhet ti ketë shtyer grupet që të mobilizohen në veprimtarinë e tyre organizative për të bërë diçka të madhe dhe shperthyese. Kuptohet kjo do të ishte organizimi i demostrateve të fuqishme për tu treguar paknaqësia haptas dhe në mënyrë masive. Ky veprim kalkulohej nga grupet ilegale qe më 1979, bile kalkulohej edhe data, kuptohet në kuadër të vazhdimësisë së traditës muaji më i pëlqyer ishte Nëntori dhe data 28-të.

     Ata që e njofin politikën qoftë nga përvoja e gjatë e marrjes me te ose nga literatura politike e dijnë se bartësve të levizjes politike kurrë nuk u dalin të gjitha parallogaritë që i kanë vënë në letër, por të gjithve u del pak nga e tëra. Për analizën tonë është i rëndësishëm konstatimi se: situata ishte e elektrizuar shumë politikisht (dhe jo aq e dukshme për të gjithë) si një dhomë në të cilën është bërë zbrazja e bombulës së gazit ku duhet vetëm një shkëndijë e vogël për të marrë zjarrë çdo gjë. Për ne më rendësi është si u krijua ky ky elektrizim që e spjeguam më lartë dhe jo nga kush, në cilin moment dhe si mori flakë? Kjo flakë u ndezë me 11mars 1981, e cila nuk do të shuhet deri në ditët e sotme dhe do të kujtohet si Pranvera e madhe e vitit 1981. Në analizën tonë nuk do të ndalemi në përshkrimin e zhvillimit të demostratave nëpër qytetet e Kosovës, as të flasim për heroizmin e paparë të rinisë kosovare, për të vrarët dhe të plagosurit, për represionin e makinerisë shtypëse shtetërore serbo-jugosllave, për arrestimet, denimet, diferencimet, sharjet dhe mallkimet ndaj bartësve të këtyre demostratave. Me shkrimet dhe deklaratat e tyre   ngjarjeve të vitit 1981 do tu kthehen shumë vite më vonë poltikanë të regjimit si dhe pjesmarrësit e tyre me evokime të lavdishme, me një fjalë do të jenë në qendër të analizave politike si ngjarje dhe si vit i ndryshimeve (përthyerjeve) të mëdha të historisë shqiptare.

 

     V. A  ishin të parakohshme demonstratat e vitit 1981

     Për të dhënë përgjigjje në një pyetje të tillë nga perspektiva kohore është më e lehtë, por edhe më e lehtë është mundësia e trajtimit spekulativë me argumenta hipotetik duke e ditur zhvillimin e më vonshëm të ngjarjeve. Thelbin e argumentimit kryesor e mbështesim në vijimsinë e veprimtarisë patriotike me dekada të tëra pa ndërprerje gjerë në momentin e shperthimit të demostratave. Është një mbarësim historik shkak-pasojë i cili gjeti kushte të volitshme nga vet zhvillimi objektiv i rrethanave dhe veprimtarisë subjektive (veprimtaria  e organizuar) që e përcaktoi pranverën e 1981-shit si fillim të fillimit. Embrioni dhe nëna nuk mund të caktojnë ditën e lindjes ato vetëm mund ta ndiejnë ate. Nese mbështesim idenë p.sh. se demonstratat e 81 ishin të parakohshme dhe metodën e arsyetimit e kemi shkak- pasojë ( dhe kjo është më e drejta)  atëherë na duhet pa tjetër  të bëjmë zhvendosje kohore të ngjarjeve historike gjerë më 1912 apo ndoshta edhe deri më 1878. Kështuqë ngjarjet historike nuk mund të jenë as të hershme e as të vonshme, sepse ato kanë rrjedhën normale në kuadër të epokës, por pasojat e tyre mund të jenë të kënaqshme ose të padeshirueshme, apo edhe të dëmshme mvarësisht nga faktori njeri i organizuar.

     Të merresh me trajtimin politik të ngjarjeve të Pranverës së madhe të 1981 dhe të mos i referohesh prof. Mr. Ukshin Hotit është e pamundur dhe joseriozitet shkencor. Ai ishte pjesmarrës në ato ngjarje, i përkrahu ato publikisht si përfaqsues i inteligjencës  së lartë të Kosovës dhe u denua për këto qendrime. I specializuar në politikë dhe me të gjitha avantazhet që ka si politolog i shquar në punimin e tij “Viti 1981 dhe proceset demokratike” këtyre ngjarjeve dhe bartësve të tyre u bënë deri më sot analizën më të thellë shkencore. Duke dhënë përgjigjje në tezën e lartëpërmendur ai konstaton: “Kritikë të tjerë, subjekte të tjera të ndrydhura  e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë: përse pikrishtviti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zberthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe përgjegjja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet tjera  nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte vit mrekullibërës ( kishte diç edhe nga  kjo), por sepse atë vit ishin pjekur të gjitha  kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shëndrrimin e kuantitetit në kualitet, dhe rastësisht ndrydhi subjektet që nuk deshën të pajtohen me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj si vitet tjera.” / Mr. Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, f.75  Tiranë, 1995/. Më poshtë profesori duke folur për ngjarjet e viti 1981 konstatoi se “…legjitimitetin e tyre e përcakton qellimi final që synon tendenca historike e zhvillimit të proceseve” /Po aty f.76/. 

     Kurse në një intervistë në “Zërin e Rinisë” 6.04.1991 në pyetjen: se mos jemi ngutur në vitin 1981, ai përgjigjet: ”Ka mendime të tilla, por unë nuk kam atë mendim. Levizja e vitit 1981 në Kosovë ishte levizje spontane  e popullsisë për realizimin e një kërkese imanente të saj, kurse a ia ka futur dikush fitilin ose jo, kjo është shumë pak e rëndësishme. Të gjitha kushtet dhe rrethanat  tashmë ishin pjekur që Kosova të bëhej republikë, dhe një gjë të tillë e hetoi masa shqiptare në Jugosllavi. Nuk mund të themi se qe herët apo vonë përshkak se historia nuk lejon që dikush të komandojë me te”. /Po aty f.201/.  Këtij konstatimi nuk kemi çfarë ti shtojmë dhe as që lejon ndonjë interpretim tjetër. Këtë mendim e përforcon edhe mendimi i njërit nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtyre demostratave Mehmet Hajrizi ku për të njëtën pyetje shton se:”Demostratat e vitit 1981 ishin të rastësishme aq sa janë të rastësishme idealet për liri”. /Rilindja, 12.03.1996, Tiranë/.  Ky  konstatim mund të përshtatet edhe  për çështjen konkrete se; ngjarjet e 81 ishin të parakohshme aq sa janë të parakohshme idealet për liri.

 

     VI. A shpërthyen spontanisht demostratat e vitit 1981

     Shumë autorë tendenciozë për shkak të minimizimit të qellimshëm të rëndësisë historike të këtyre ngjarjeve shtrojnë pyetjen provokative dhe fyese  se: a mos shpërthyen spontanisht demostratat e viti 1981? Nese nuk kanë shperthyer spontanisht atëherë gjoja organizimi është i dyshimtë. Autorët e pikpamjeve të tilla donin për të na bindë se nuk ka qenë në interes kombëtarë momenti (sipas sahatit të tyre) i shperthimit të demostratave të tilla. “Demostratat e vitit ,81 i ka karakterizuar një organizim spontan. Ato u vetëorganizuan nga shtresat e gjera të popullit: nga studentët, nga pjestarët e grupeve ilegale, nga nxënësit, nga fshatarët, nga punëtorët, nga qytetarët” / Shemsi Reçica - Pasqyra, nr.4 - 2001, Prishtinë/. Kjo më tepër më duket se është një pyetje retorike që në raste të ngjajshme nuk harrohet për tu shtruar. Një levizje aq popullore  me kërkesa shumë të qarta politike nuk mund të bëhet spontanisht e as në mënyrë instiktive. Shtrohet pyetja: atëherë pse nuk shpërthyen me 1978 ose më herët, por pikërisht me 1981? Në etapa të “qeta” të qeverisjes së pushteteve,  te një popull me vetëdije të ngritur politike  dhe me synime të qarta  kombëtare spontaniteti nuk ka vend. Spontaniteti dhe instiktet do të vinin në shprehje vetëm  poqese do të rrezikohej ekzistenca e substancës biologjike të  një populli. Është e padiskutueshme dhe katercipërisht e argumentuar  se demostratat e vitit 1981 i organizuan  grupet dhe organizata ilegale. Fill pas shtypjes së demostratave në mënyrën ma barbare, nga organet e sigurimit u deklarua për zbulimin e organizatave “kundërrevolucionare” ilegale u theksuan si pjesëmarrëse dhe organizatore: “ 9 organizata pak si më të mëdha  dhe i 83 grupeve ilegale “ /Ukshin Hoti  po aty  f.77/.  Numri kaq i madh i grupeve të organizuara ilegale është fakt i pamohueshëm se kanë përgatitë opinionin dhe elektrizuar situatën politikisht për të shpërthyer nga një shkëndijë e vogël, qoftë edhe spontane. Por në mënyrë tendencioze nuk duhet ngatërruar shkasin me shkakun. Në fillim mund të kenë qenë në korrent me ngjarjen  një apo dy organizata ilegale, por pas ngjarjeve të 11 marsit janë alarmuar të gjitha grupet dhe organizatat ilegale ekzistuese, duke konkluduar se erdhi momenti i shumëpritur, sepse  të gjitha grupet veq e veq më herët kishin menduar sipas planeve të tyre për të bërë diçka të madhe. Në këto momente nuk duhet harruar se shumica e grupeve fillojnë njohjen në një shkallë më të lartë dhe fillojnë bashkim-shkrirjen ose kordinimin midis tyre. Në këtë rast merita e organizimit të demostratave të 1981 është e grupeve ilegale me aktivistët e tyre, të cilët dijtën ti shfrytëzojnë drejtë rrethanat objektive shumë të volitshme. Me të drejtë thotë Niçe: “Çë të bëhesh rrufe, kohë të gjatë duhet të jesh re”. Pikpamje të tjera mund të trajtohen por do të bien erë spekulimi dhe do të na  largojnë  shumë nga esenca e problemit të çështjes.

 

     VII. A i organizuan ngjarjet e ’81 agjenturat e huaja

     Dy tezat më problematike janë:

     1) Se ngjarjet e viti 1981 i ka organizuar UDB-ja dhe sigurimi shqiptarë, më mirë të citojmë vet autorin e një mendimi të tillë: “Në bashkpunim me “sigurimin” serbët organizuan skenarin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Logjika ishte shumë e thjeshtë. Zhvillimi kaq i hovshëm i Kosovës ishte një pasqyrë e keqe për regjimin e Tiranës” /Nexhmedin Spahiu, Serbia shtet i përpjekjes për tejkalimin e vetvetës, Lajmi Ditës, 4.01.1996, Tiranë/. 

      2) Kurse Mahmut Bakallin fatkeqsisht nuk kemi mundësi për ta cituar, por po e parafrazojmë nga një shkrim i më hershëm në “Zërin Shqiptar” të vitit 1995, ku ai shprehet se demostratat e vitit 1981 i ka organizuar KGB-ja ruse dhe sherbimi bullgarë në bashkpunim me Serbinë. Nuk mund ta dijmë në radhë të parë ku është qellimi i autorve të lartëpërmendur ku duan të dalin (dhe pse pikërishtë në këtë kohë 1995) me arsyetime të tilla dhe çfarë duan të arrijnë? Më lartë në mënyrë kronologjike trajtuam shkaqet që quan në formimin e organizatave ilegale dhe më pas shpërthimin e demostratave. Qellimi bazë i organizimit të tyre ishte për avancimin e aspiratave tona kombëtare.

     Por të ndalemi te fakti i kryer se ja: demonstratat ndodhen. Kushdo që në një mënyrë ose tjetër si Serbia, Shqipëria, fuqit e mëdha dhe të gjtha ato forca që u përthyhen interesat në Kosovë natyrisht që janë munduar të përfitojnë secila për vete. Në fakt kanë përfitur duke instrumentalizuar popujt e vet për interesa të ndryshme: Serbia për të mobilizuar nacionalizmin shtetërorë për shuarjen e çështjes shqipatre dhe për të homogjenizuar popullin serb, kurse regjimi i Tiranës për të instrumentalizuar popullin e RSH, për të neglizhuar vështirësit ekonomike, homogjenizimin e popullit dhe sidomos udhëheqja partiake e shfrytëzoi për të dëshmuar patriotizmin e vet komunist. Fuqitë e mëdha duhet të kenë bërë llogaritë e tyre për dobësimin e rolit të njërës në rajon dhe forcimin e tjetrës. Shkaqet se pse nuk u avancua çështja kombëtare pas këtyre ngjarjeve duhet kërkuar tek dobsia e udhëheqjes së athershme politike e KSA të Kosovës. Konstatimi i mësipërm i autorve të lartëpërmendur nuk mund të jetë i qendrushëm, por është spekulim për rrethanat aktuale politike. Kur konstatimi është i pa mohueshëm se: demonstratat kishin aspiratë për të avancuar çështjen kombëtare atëherë lindin pyetjet:

·        Pse u preokupua aq shumë Serbia me çështjen shqiptare dhe avancimin e saj?

·        Kurë serbët u banë shqiptarë?

·        Ata ishin  pushtuesit tanë?

·        Ata po të donin lehtë mund ta zgjidhnin këtë problem, vetëm të hiqnin dorë nga mitet dhe apetitet e tyre hegjemoniste.

·        Pse serbët ishin të interesuar që Kosova të bëhej republikë?

     Përgjigjja nga autorët e këtyre tezave do të ishte: kjo u bë për të shkatërruar përparimin e KSAK. Këtë deshirë të serbëve nuk mund ta mohojmë, por për shkak të kësaj shqiptarët nuk mund të vendnumronin. Ky arësyetim të qon tek përfundimi se Zoti Bakalli me bashkëmendimtarët e tij statusin e Kosovës të vitit 1974 e ka vlerësuar si zenit të avancimit të çështjes shqiptare dhe këtë status e ka identifikuar edhe si aspiratë të popullit shqiparë. Nga logjika e tij hiqet procesi i zhvillimit dhe për këtë ka të “drejtë” të mendojë ashtu si mendonë. Por ja që historia dhe aspiratat e një populli nuk përcaktohen me kutin individual.

     Një argument tjetër i rëndësishëm është se në të gjitha seancat gjuqësore  të burgosurve politik shqipatrë në Kosovë nga gjykatat jugosllave as edhe një veprimtarë nuk është denuar për  spiunazh si agjent i ndonjë sherbimi të huaj e as të sigurimit shqiptarë edhe pse levizja politike ilegale ishte pro shqiptare, sigurisht se po të ekzistonte një rastë i tillë UDB-ja do të dinte me mjeshtri ta materializonte në propagandën e saj. Që në fillim e theksuam vijushmërinë historike si argument dhe me qellim bëmë një vështrim aq të gjatë historik sa që lexuesi i nderuar vazhdimisht duhet ta ketë parasyshë pas çdo arësyetimi dhe gjykimi. Nese vetëm një moment e pranojmë se demostratat e vitit 1981 i ka organizuar UDB-ja dhe Sigurimi atëherë në mënyrë shkajkore (duke pasë parasysh vijushmërinë historike) edhe grupet ilegale të pas 68 i ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe demostratat e 1968 i ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe grupet ilegale të para 1968 deri dhe NDSH-në e ka organizuar UDB dhe Sigurimi, edhe kryengritjen e Drenicës me në krye Shaban Poluzhën, edhe Konferencën e Bujanit, edhe Lidhjen e dytë të Prizrenit, edhe kryengritjet e Drenicës me Azem Galicën deri edhe Shpalljene Pavarësisë me 1912, del se të gjitha na i paska organizuar UDB-ja dhe Sigurimi. Ja deri ku mund të qonë një logjikë e mbrapshtë vetëm e vetëm për të arsyetuar oportunizmin dhe deshtimin e një klase politike.

 

     VIII. Demonstratat e vitit 1981 dhe RS e Shqipërisë

     Menjëherë pas ngjarjeve të marsit u mbajtën në fillim mbledhje interne të Qeverisë Federative dhe të KQ të LKJ-së të cilat nuk informonin shtypin për çështjet që po trajtonin, vetëm kur nuk mund të mbulohej dielli me shoshë filloi shtypi të jepte informacion më të gjerë. Që më 7 prill të vitit 1981 në një intervistë në Rilindje Stane Dollanci ministër i mbrendshëm pat deklaruar se: “Shqipëria nuk kishte gisht në këtë ngjarje”. Më vonë pala jugosllave ndërroi deklaratë sepse i duhej një fajtorë kujdestarë, atëherë filloi të akuzohej Shqipëria për të gjitha. Reagimet nga Shqipëria ishin shumë të matura politikisht dhe shumë qellimëmira për palën jugosllave gati predikuese, se si duhej zgjidhur çështja në të mirë të shqiptarëve të Kosovës dhe vetë Jugosllavisë. Këtu një gjë nuk është e kuptueshme pse pala shqipare doli aq vonë në mjetet e veta të informimit për ngjarjet në Kosovë tek me 8.04.1981, gati një muaj pas 11 marsit të 81-shit.

·        Pse një heshtje kaq e gjatë?

     Në artikujt që  lexoheshin në radio, TVSH  dhe në artikujt e Zërit të Popullit kishte tone mbrojtëse. Me 8.04.1981 ndër të tjera ZP shkruante se: “Qendrimi ynë është i pandryshuar”, kurse në vonë ZP-ja do të deklaronte:”Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se as kemi çfaqur dhe as çfaqim kërkesa teritoriale” /ZP.17.05.1981/  Më poshtë në të njëjtin shkrim Shqipëria do të mbrohej nga insinuatat jugosllave:” Jo, zotërinj, nuk është kështu dhe ato që thoni nuk i beson njeri. Populli shqiptar që jeton në Jugosllavi është i zgjuar vetë dhe din çfarë bën. Ai ska nevojë ta mësojmë dhe ta nxisim ne, shqiptarët e Republikës Popullore socialiste të Shqipërisë. Ai është trim dhe i besës, ai di të kërkojë atë që i takon, siç di të mbrohet edhe vetë” /ZP.17.05. 1981/.  Gjat veprimtarisë së grupeve ilegale në Shqipëri shpesh kanë kaluar individ të këtyre grupeve që të konsultohen me shtetin amë, se si dhe çfarë për të vepruar në të ardhmen, ose përfaqsues tjerë kanë kontaktuar me trupin diplomatik shqiparë dhe i janë bërë këresa të njëjta. Përgjigjja çdoherë ka qenë lakonike , përgjigjje shumë të përgjithsuara dhe kurr konkrete, edhe në ndonjë pyetje shumë direkte ata do të përgjigjeshin me shembuj shumë të vjetëruar se: ne gjat LNÇ edhe demonstrata kemi bërë, edhe atentate kemi bërë, të gjitha në këtë stil. “Ai pat treguar gatishmëri për të na mbështetur në punët tona në drejtim të levizjes për pavarësinë e Kosovës. Por, asnjëherë nuk e ka provuar që të nderhyjë në ndonjë formë autoritare.” /Abdulla Prapashtica, Zeri ditor, Fejtoni…, vazhdimi nr.8, shkurt 2001,Prishtinë /.

     Nga kjo mund të konkludohet se sa të vëmendshëm kanë qenë pala shqiptare dhe sa shumë i janë friguar implikimit në ngjarje të tilla. Ne nuk duam të arsyetojmë  Shqipërinë për një qendrim të tillë, përkundrazi e vlerësojmë si dobësi të mos shfrytëzimit të rrethanave të krijuara dhe në fund të fundit pse pikërisht ajo të mos ishte vërtet  inspiruese e drejtpërdrejt e ngjarjeve të vitit 1981. Është e pa falshme që Shqipërinë ngjarjet e vitit 1981 në një mënyrë e befasuan. Por në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet teza se ato i organizoi UDB-ja në bashkëpunim me sigurimin, sepse është një kombinim shumë eklektik dhe në kundërshtim të plot me natyrën e zhvillimit të ngjarjeve. Duhet të theksojmë edhe njëherë se në ngjarjet e vitit 1981 edhe sovjetikët mbi idenë e pansllavizmit janë  munduar që të xjerrin përqindjen e tyre të fitimit për interesa strategjike në rajon, për këtë Shqipëria zyrtare do të konstatonte: ”Sovjetikët kanë qenë, janë dhe do të jenë kurdoherë përkrah serbomëdhenjve. Interesat e tyre puqen. Kjo ndodh edhe tani me rastin e ngjarjeve në Kosovë. Si revizionistët sovjetikë,  ashtu edhe serbomdhenjët janë armiq të betuar të shqiptarvë, qofshin këta në RSF të Jugosllavisë, qofshin në RPS të Shqipërisë”. /ZP. Ngjarjet e Kosovës dhe bashkpunimi i fshehtë Sovjeto- serbomadh, 5.06.1981/. 

     Në të njëjtin artiull më poshtë autori konstaton se: “Moska e ka kalkuluar që “dora e fortë” serbe  që po godet Kosovën do të ngjitet nesër edhe lartë në Bosnjë, në Kroaci e në Slloveni. Kur të vijë kjo kohë që tashmë po duket se nuk do të jetë shumë e largët, klani serb do të ketë me doemos nevojën për ndihmën sovjetike” /Po aty/. Po e ritheksoj se artikulli i lartëcituar është shkruar me 5.06.1981, për konkluzionin parashikues gati profetik nuk do koment pavarsisht se kush ka qenë ky analist, që parashikimet e tij të përpara 10 vjetëve ia provuan ngjarjet që u zhvilluan në luftrat e shkatrrimit të ish Jugosllavisë dhe lufta e fundit në Kosovë. Se ku e ka hallin Z. Mahmut Bakalli që pas 15 vjetëve u mundua ti ngatërroj fijet qelimisht edhe me sherbimin Rus e Bullgarë do të merremi më poshtë.

 

     IX. Masat e shtetit jugosllav dhe qendrimi i  klasës politike të Kosovës

     Masat e para të shtetit jugosllavë ishin masat rpresive dhe brutale kundër demostruesve përmes policisë, njisive speciale dhe trupave të ushtrisë jugosllave. Këto trupa kanë pasur sjellje të ngarkuar anti shqiptare deri në sadizëm në ndeshkimin e rinisë srtudentore dhe pjesmarrësve të demostratave. Prej masave më të ngutshme të Beogradit ishte vlerësimi (kualifikimi) i demostratave  si; kundërrevolucionare, nacionaliste, irridentiste dhe antijugosllave Se janë të organizuara dhe të imponuara nga jashtë, se gjoja nuk kanë bazë në kontradiktat e mbrendshme ndernacionale në kuadër të federatës. Pala jugosllave kishte vlerësimet dhe komentet e  veta për komplot nderkombëtar, me 6.04.1981 Stane Dollanci minister federativ i punëve të mrendshme deklaroi:” Mbas tyre qendrojnë  forcat më reaksionare të botës, fashiste, më dogmate, të cilat në këtë rast sigurisht janë bashkuar dhe kanë pranuar një platformë” /S.Gjakoviq “Konfliktet në Kosovë” f.299- Beograd 1984/.

     Pas kësaj faze duhej ndermarrë hapa konkretë për gjykimin dhe eleminimin e rrethanave dhe “leshimeve” që kanë mund të qojnë në organizimin e demostratave. Për veprim konkretë kërkohej legjitimitet  para opinionit të mbrendshëm dhe të jashtëm, prandaj vlerësimet (denimet) duheshin të jipen nga udhëheqja më e lartë partiake (LKJ). Mu për këto shkaqe u nxorë Platforma Politike e KQ të LKJ për Kosovën. Në hartimin e kësaj platforme ndikim vendimtarë pati politika serbe, duke paraqitur hegjemonizmin e vet si interes gjithë jugosllavë. Udhëheqja politike e Kosovës pranoi vlerësimet e platformës pa u përpjekur që të  mbronte të drejtat nacionale  të shqiptarve  që i gartantonte vet Kushtetuta jugosllave dhe programi i LKJ-së. Ata nuk kërkuan që të hiqet një vijë ndarëse në mes të nacionales (gjithëmon sipas standardeve zyrtare) dhe nacionalizmit. Me këtë qendrim ia mudësuan nacional - komunizmit serb që në emër të nacionalizmit të luftojnë nacionalen në të gjitha drejtimet dhe nivelet në Kosovë. Ky ka qenë qendrimi më opurtunë i udhëheqjes së Kosovës, sepse nuk rezistoi as aty ku kishte argumente zyrtare, por u vu në sherbim të fushatës antishqiptare,  duke vlerësuar lulen e rinisë dhe bartësit e demostratave me emra të ndryshëm fyes dhe denigrues.

     Hap konkretë i udhëheqjes  jugosllave ishte ndërrimi i udhëheqjes politike Krahinore të vitit 1981. Goditje të parë mori njeriu i parë i partisë Mahmaut Bakalli. Ai nga funksioni i Sekretarit Krahinor të LKJ dha dorheqje me 5 maj 1981. “Mahmut Bakalli nuk bëri ndonjë veprim iritues: mbajti një konferencë me gazetarë, lexoi para tyre një fjalim të përgatitur me kujdes, ku merrte për sipër përgjegjësinë që i takonte, duke mbetur më tej “ushtar besnik i partisë” dhe u largua nga skena politike.” /Mehmet Kraja “Vitet e humbura” f.124, Tiranë, 1995/. Dorheqjen e Bakallit duhet analizuar më thellë, sepse ai ishte njeriu më i pergaditur ideologjikisht dhe politikisht për vijen zyrtare të RSFJ. Nga këndveshtrimi ynë është e rëndësishme çështja: Pse M.Bakalli nuk e priti shkarkimin, por dha dorëheqje? Këtë përgjigjje mund ta gjejmë duke u bazuar në sistemin e vlerave të shoqërisë komuniste, ku dorëheqja konsiderohej si akt moral e politik, si akt i pranimit të gabimit dhe dëmit të shkaktuar, si autokritikë dhe si gjestë i cili nuk të shkëput përfundimisht por që të lenë mundësinë të kthesh perseri në gjiun e partisë, kuptohet kur të jesh i nevojshëm për partinë. Shkarkimi do ti shkëpuste lidhjet me partinë një herë e përgjithmonë, me një aktë të tillë Bakalli do të ngelej figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës gati po aq sa vetë ngjarjet e 81. Po si duket ai nuk ka menduar atëherë për historinë dhe politikën sepse ka patur bindjen që ai është vetë historia dhe politika e Kosovës. Kjo ishte mendje lehtësi e pafalshme e një politikani të karierës, gabim dhe rënje për të mos u ngrit më në lartësinë që e kishte.

     Në zbatim të platformës filloi procesi i diferencimit ideopolitik nëpër organizata, shkolla, ente dhe njisi punuese duke goditur bartësit e frymës kombëtare. Në qendër të goditjes u vu Universiteti i Prishtinës i cili cilësohej si kështjellë e nacionalizmit dhe inteligjenca që ishte pjesa më e emancipuar në sferën e vetëdijes kombëtare. Masë tjetër nga kreu i Beogradit ishte rikthimi në vendet udhëheqëse të atyre kuadrave që ishin treguar të zellshëm dhe besnik në ndjekjen dhe ndeshkimin e shqiptarve në emër të integralizmit jugosllavë këtë me të drejtë e kishin vërejtur edhe analistë të kohës: “Veli Deva, i cili zuri vendin e Mahmut Bakallit, si dhe përfaqësuesi i Kosovës në forumin më të lartë të Federatës, Fadil Hoxha, i përkasin asaj gjenerate, të cilët edhe para vitit 1966 kanë pasur poste të rëndësishme. Shpesh këta politikanë i pyesim në Kosovë, ku kanë qenë atëherë kur shqiptarët, në mënyrë masive keqtrajtoheshin dhe poshtëroheshin? Ndoshta shpejt këtyre do t’u bëhet pyetja ku ndodhen tani që po sulmohet e gjithë kultura kombëtare”. /Viktor Majer “Frankfurter Algemajne Cajtung” - 13.05.1981./  Pas ca dite edhe Mehmet Maliqi u riaktivizua (rikthye) si kuadër i verifikuar në krye të sektorit të Punëve të Mbrendshme të Kosovës. Ngjarjet e vitit 81 Beogradi do ti përdorë si pretekst për të luftuar sistematikisht çdo gjë shqiptare deri në verë të vitit 1990 kur bëri ripushtimin e plot të Kosovës, veprim ky që ishte objektiv i kahmotshëm  edhe para këtyre ngjarjeve.

 

     X. Karakteri dhe shkaqet e shperthimit të demostratave 1981

     Karakteri i demostratave të viti 1981 është lehtë i përcaktueshëm nga vetë bartësit e tyre. Në fjalorin politik të kohës ato janë përcaktuar si “demostratat e studentore të vitit ‘81”. Përshkak se bartës ishin rinia studentore ato nuk mund të cilësoheshin si kundërrevulucionare, regresive dhe konservatore. Ka vlerësime të ndryshme se ato kanë patur të përfshirë në vete komponenten ideologjike, ekonomike, klasore dhe kombëtare. Dihet se në kuadër të shteteve moniste totalitare dhe të ideologjizuara nuk ka pasur mundësi ti iket këtij fenomeni. Por kjo nuk mund të interpretohet në mënyrën se si  e interpretojnë ata që janë tendenciozë dhe duan të fshehin ideologjinë e vet e cila e kishte kokën në Beograd. Ideologjia ishte formë e grupeve ilegale dhe vetë ngjarjeve të vitit 1981 për shkak të ndikimit nga RPSSH si shtet amë, kurse përmbajtja ka qenë thellësisht kombëtare. Kjo më së miri deshmohet nga aktakuzat dhe gjykimet që i janë bërë grupeve ilegale. Askush nuk u denua dhe nuk ngarkohej për shkak të ideologjisë por për shkak të nacionalizmit, irridentizmit dhe  separatizmit. Edhe komponenta e pabarazisë ekonomike e ka pasë rëndësinë e vet në rritjen e pakënaqësisë dhe revoltës shqiptare. Në këto ngjarje shumë shpejtë me studentët  u solidarizuan klasa punëtore dhe fshatarësia si shtresa të popullësisë së Kosovës.  “ Unë mendoj se pakënaqësia më e madhe është pakënaqësia kombëtare. Unë mendoj se kjo ka qenë me të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat. Kësaj i shtohet edhe kërkesa ekonomik. Kështu që  unë mendoj që është një kombinim shumë i fuqishëm e revoltave nacionale, ekonomike dhe shoqërore” /Vëzhguesi i revistës angleze “ Ekonomist” Eris Sviç në një bisedë me radion angleze 7.05.1981/.

     Në vendet socialiste shumë pak ka pasur ndikim levizjet me karakter social sepse ato ishin të amortizuara që në start nga propaganda komuniste që ishte ideologji shtetërore duke shpallur si absurd rrebelimin e punëtorve si veprim kundër vetvetës. Më 18 shtator 1981 grupi i punës i KQ të LKJ për hartimin e “ Platëformës për Kosovën “ Millojko Drulloviq, Sinan Hasani dhe Zharko Papiq  ishte shkuar me projektin e parë të “ Platëformës” në Zagreb tek Vladimir Bakariqi për konsultime. Nga biseda e stenogramuar mësojmë se Bakariqi u ka thënë: “Çështjes të së ashtuquajturës parti marksiste-leiniste i paskeni dhënë shumë vend. Ky nuk ëshë program që do të mund t’i tërhiqte demosntrantët, as dikë tjetër. Nëse e shikoni diksionin dhe stilin e programit do ti gjeni aty të gjitha parullat që i përdor në Përëndim antikomunizmi profesional. Pra këtu është fjala për diçka tjetër. Dikush  u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demosnstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste. Prandaj, mendoj se kjo nuk mud të hyjë farë në Platëformë…” /Blerim Reka - Demonstratat e 81-shit antikomniste – Rilindja, 12.03.1986, Tiranë/. 

     Zoti Bakariq për shkak të paragjykimeve e harron qellimisht komponentën kombëtare dhe kërkon shtegdalje te komplloti nderkombëtarë. Kur pranohet fakti se kerkesë bosht e këtyre ngjarjeve ishte “Kosova Republikë” atëherë përcaktohet kjartë karakteri politik, vrulli rinor revolucionar dhe përmbajtja thellësisht kombëtare e këtyre demostratave. “Kur studentët dhe demonstruesit dolën në rrugë në vitin 1981, çështja primare e diskutueshme ishte statusi e më rrallë deshira për pavarësi” /Kosovo report”- Indipedent International Commission on Kosovo –f.36-Oxford-2000/

     Kërkesa  gjenerale “Kosova Republikë” ngërthen në vete të gjitha kërkesat e të gjitha  shtresave të popullit. Duke analizuar përmbajtjen e parrullave të 1981, Branko Horvati nxjerr konkluzionin: ”Përcaktohen qartë përafërsisht tre përbërës të atmosferës politike. Njërën e përfaqson nacionalizmi i zgjuar, kjo është e përbashkët për të gjitha regjionet jugosllave në fund të 60. E dyta mbeshtetet te kushtet e rënda sociale. Ndersa të tretën e përfaqëson irridentizmi” /Branko Horvati -“Çështja e Kosovës”-f.102, Lublanë-1988/. Në këtë kërkesë ishin të fokusuara të gjitha aspiratat dhe për këtë shkak nuk mund të eleminohet argumenti teorik se këto demostrata përveq përmbajtjes kombëtare patën edhe karakter ekonomik,  kulturorë, emocional etj. Veprimet e organizuara dhe kërkesat politike janë shkalla më e lartë e vetëdijes së një populli të pushtuar sesa ato ekonomike.

 

     XI. Demostratat e ’81 a e avancuan çështjen kombëtare

     Që në fillim duhet të sqarojmë se demostratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarve ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga perpjekjet per integrimin e tyre në Jugosllavi përmes shpikjes së kombit jugosllavë në emër të vëllazërim- bashkimit. “Ishte revolucion kombëtarë, sepse objektiv kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese serbe; ky ishte karakteri i përgjithshëm i atij rrevolucioni, prej të cilit burojnë edhe aspekte të veqanta të tij.” /Hajdin Abazi - Demokracia shans për pavarësinë e Republikës së Kosovës, f.9- Tiranë,1996/.

     Pas këtyre ngjarjeve çdo shqiptarë  kishte projektuar në kokën e tij një republikë e cila në fantazinë e tijë funksiononte sipas ngritjes intelektuale të  secilit veq e veq. Është faktë se në aspektin politik kjo kërkesë ishte bërë gjithë popullore dhe kjo ishte më e rëmdësishmja për Levizjen kombëtare sepse realizimi konkretë i saj për zhvillimet historike ishte i pandalshëm, vetëm çështje teknike, çështje kohe. Nga viti 1981 do të kemi përpjekje për organizimin e demostratave në çdo pranëverë në kujtim të atyre të viti 81, si pasojë kemi edhe arrestime vit për vit. Ky fakt  tregon për këmbëngultësinë dhe vendosmërinë e shqiptarve në rrugën e re. Ngritja e statusit nga Krahinë në Republikë nuk u realizua për shumë shkaqe por njëri më i rëndësishëm është se udhëheqja krahinore nuk kishte shfrytëzuar në maksimum të gjitha ingerencat e kushtetutës së vitit 74 por kishte lënë vakum. Në përpjekjen për kërcim të natyrshëm nga niveli i krahinës në republikë mu në këtë vakum pati rënje, pati pengesa më vonë edhe veprime retrograde. Deri në vitin 1981 Levizja kombëtare ishte me hope kishte shkëputje, nga ky vit levizja ishte kontinuele dhe aktive (në shumicën e rastve prijëse) në të gjitha zhvillimet politike. Ajo perjetoi një ngritje të vazhdueshme politike dhe organizative deri më 1990, kur ndodhi procesi i ndarjes së levizjes politike në ate paqësore dhe çlirimtare.

 

     XII. Demostrata e ’81 dhe proceset demokratike në Evropën Lindore

     Çështja e tranzicionit nga monizmi në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist është  një ndër problemet më të rëndësishme politike dhe shkencore të kohës moderne. Prandaj është shumë e rëndësishme të studjohen fillet dhe tendencat e këtij procesi për secilin vend veq e veq. Për historinë politike të Kosovës është e rëndësishme se cili ishte roli i  ngjarjeve të vitit 81. Rëndësinë e këtyre ngjarjeve në këtë drejtim i pari dhe më së miri e ka trajtuar prof. Ukshin Hoti kur konstaton se:”Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qefin e tyre. Ishte e nderlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerzimit. Demokracia në Kosovë  u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e nderlidhur me të tjerat “. /Ukshin Hoti, Po aty f.94/.

     Është bërë zakon që të krahasohen ngjarjet e Solidarnostit në Poloni me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Këto ngjarje kanë edhe  pika të përbashkëta si : Organizime anti shtetërore, anti sistemeve qeverisëse, masoviteti, antisovjetizmi, vazhdimësia deri në ditën e ndryshimeve të mëdha dhe mbi të gjitha se ishin më të parat në tërë bllokun e lindjes. Ndryshimi në mes tyre është se ndikimi i demostratave të Solidarnostit kishte ndikim në nivel kombëtarë dhe shtetërorë të Polonisë, kurse ngjarjet e 81 në Kosovë kishin ndikim vetëm në nivel të Kosovës që vlerësohej provincë e Jugosllavisë. Në Kosovë çfardo që të ndodhte kryeqendra e shtetit Beogradi ishte jashtë ndikimit të këtyre ngjarjeve. Kurse RPSSH ishte në kulmin e izolimit dhe monizmit të tipit të diktaturës së proletariatit. Sikur Kosova të ishte shtet më vete atëherë këto ngjarje me masovitetin dhe energjinë e tyre do të kishin përmbysë çfardo regjimi dhe qeverie  të Kosovës.

     Në fushën e ndryshimeve politike në planin e mbrendshëm këto ngjarje patën rëndësinë e vet në kuadër të kohës dhe regjimit totalitar komunist. Në shoqërinë kosovare u krijuan dy vija politike ajo zyrtare jugosllave e LKJ-së dhe vija politike kombëare që përfaqsohej prej levizjes kombëtare. Kjo e fundit edhe pse vepronte nga ilegaliteti si frymë ishte e pranishme në të gjitha poret  shoqërisë kosovare. Ishte instaluar mendimi ndryshe, kishte shtyp opozitar(ilegal), organizim politik tjetër nga ai zyrtar. Kjo ishte një diçka e re që shumë  vende të  lindjes nuk kanë mund as ta paramendojnë. Në fakt këto ishin fillet e para të tranzicionit politik në tërë bllokun komunist.

 

     XIII. Ngjarjet e vitit ’81 dhe zhvillimet e më vonshme

     Më lartë konstatuam se ngjarjet e vitit 1981 do të jenë rifillimi  i pandalshëm i levizjes sonë kombëtare dhe si të tilla ato do të kenë ndikim përmes bartësve të vet direkt ose përmes frymës (shkollës) së 81 në të gjitha zhvillimet e më vonshme politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Si kundër reakcion nacionalizmi serb dhe duke nxanë shkas nga ngjarjet e 81, perpiqej që të reduktonte  të drejtat politike dhe institucionale të shqiptarve deri në maksimum. Për këtë qellim u muar fushata për reduktimin e kompetencave të krahinës përmes ndryshimeve kushtetuese. Bartësit e ngjarjeve të vitit 1981 dhe vetë Levizja ilegale nuk i kushtuan rëndësinë e duhur këtyre ndryshimeve në fazën e diskutimeve publike; duke menduar se ky është problem i udhëheqjes politike të Kosovës e cila nuk mund të mos e mbrojë një çështje kaq të mbrojtshme,  transparente dhe obligative për te. Për kundër interesit kombëtar nuk u vendos lidhja në mes udhëheqjes legale dhe Levizjes ilegale. Ky bashkpunim (kordinim) mungoi nga udhëheqja politike edhe pse mund të vendoste kontakte të lehta me Levizjen ilegale, kur publikisht dihej se S. Millosheviqi bashkpunonte haptas  me klerin ortodoks dhe me organizatat serbe si në diasporë ashtu edhe brenda. Mendim tjetër për ngurrimin e këtij kordinimi  ishte edhe ndarja e kuptueshme nga distanca e punve; se ne e kemi për detyrë ta bëjmë republikën, kurse këta së paku le ta ruajnë krahinën. Besimi i tepruar në aspektin doktrinarë dhe filozofik se ngjarjet dhe rrota e historisë nuk mund të levizin prapa. U vertetua më vonë se ky konstatim  kishte qenë fiksion se në momente të caktuara historia po levizke edhe prapa nese faktori i organizuar  i neglizhon situatat nëpër të cilat kalon populli dhe vendi. Ndërsa fill pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese në protesta dhe demostrata post festum levizja politike (revolta popullore) ishte shumë aktive duke  iu dhanë këtyre protestave një përmbajtje shumë militante.

     Pas rrënimit të autonomisë dhe vendosjes së pluralizmit nën okupim, vija vazhduese e ngjarjeve të vitit 1981( tash të njohur si ish të burgosur politik) nuk krijoi parti të vetën legale, por u inkuadruan në partitë ekzisuese dhe sidomos në LDK që vlerësohej për momentin si një levizje legale kombëtare. Levizja ilegale (LPRK) vazhdoi veprimin në ilegalitet duke evlerësuar situatën si të pa përshtatshme për legalizim sepse Kosova me Serbinë do të ndahej vetëm me luftë dhe asaj i duhet një strukturë ilegale për ditët e vështira.

     Si ngjarje më e madhe e  viti 1990 ishte Deklarata kushtetuese e 2 korriktu e cila e shpallte Kosovën republikë. Kjo deklaratë u shpallë nga parlamenti i Kosovës që ishte konstitua pas rrënimit të autonomisë së Kosovës. Këta kuvendarë ishin pjesa më lojale e pushtetit jugosllavë që kishin pranuar (ne këtu nuk merremi me ate se në çfarë menyre) të ishin pjestarë të kuvendit të degraduar të Kosovës. Këtu ndodhi një paradoks politik dhe historik; në vendë që Republika e Kosovës të shpallej nga ata që e projektuan, luftuan dhe u sakrifikuan për të, ajo u shpall nga ata që kishin qenë dhe ishin zgjedhë për të mbrojtë krahinën (autonominë) e përdhosur. Ky argument (paradoks) nuk e ulë aspak vlerën historike politike dhe kombëtare të aktit të shpalljes së Deklaratës së pavarësisë dhe nuk nënçmon bartësit e këti akti. Kjo tregon se sa i thellë ishte dallimi në mes vijës shqiptare dhe asaj serbo- jugosllave, se bartësit e këti akti kanë vlerësuar shumë drejt ndryshimet historike dhe kanë vepruar në përputhje me rrethanat e reja historike, politike dhe kombëtare dhe kanë deshmuar forcën, shpirtin dhe përkushtimin kombëtarë të popullit tonë për të qenë i lirë dhe i pavarur.

 

     XIV. Bartësit e ngjarjeve të 1981 dhe UÇK

     Në trajtimet e ndryshme publicistike ka shumë koment edhe analiza se kush e themeloi  UÇK-në? Më kompetentët me të drejtë thonë se është vazhdimësi e gjithë rezistencës shqiptare anti serbe. Është fakt i pamohueshëm se pikërisht  Levizja ilegale është ajo e cila punoi në platformën dhe organizimin e kësaj Ushtrie. Si kuadri drejtues ushtarak dhe politik u deshmua se shumica ishin ose pjesmarrës të ngjarjeve të 81 ose ishin të inspiruar nga këto ngjarje dhe bartësit e tyre. I njëjti konstatim (me disa prijashtime) vlenë edhe për heronjët dhe deshmorët e UÇK-së që dhanë jetën në altarin e atdheut për lirinë që ne e gëzojmë sot.(Pashtriku.org - 15. 03. 2010)

 

 

 

Me rastin e njëzetë e gjashtë vjetorit të demonstratave historike të vitit 1981

 

Çka tha Jusuf Gërvalla në tubimin me bashkëatdhetarët, më 28 Nëntor 1981?

 

POPULLI ËSHTË PADYSHIM AI I CILI E DIN MË SË MIRI DERI KUR

DUHET TË PRESIM QË TË REALIZOHET KËRKESA KOSOVA REPUBLIKË

 

 

Shkruan: Ismet RASHITI

(www.pashtriku.org – 11.07.2007 /19:00)

 

     S’ka kurrfar dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vet poshtë dhe të dal me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jet bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar.

 

TA NDJEKIM RRUGËN QË NA PËRCAKTON POPULLI DHE TË

 JEMI TË GATSHËM T´I PËRGJIGJEMI

 

     Këto janë përgjigje në pyetjet e bashkveprimtarëve drejtuar dëshmorit Jusuf Gërvalla në festën e organizuar me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar në afërsi të Shtuttgardit më 28 Nëntor 1981. Në këtë tubim ishin të pranishëm dhe u janë përgjigjur pyetjeve të shumta edhe dëshmorët Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, fjala e të cilëve fatkeqësisht na mungon.Vetëm njëmuaj e gjysëm pas këti fjalimi, pikërisht më 17 janar 1982, në fshatin Untergrupenbach afër Heilbronnit të Gjermanisë, Jusuf Gërvalla bashkë me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, u vranë nga armiqtë e kombit shqiptar.

Jusuf Gërvalla, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvalla

     "Një njeri i menqur thotë se mendimi është e vetmja parajsë prej së cilës nuk mund të na ndjekin. Prandaj mund të drejtohemi konkretisht te armiku. Mendoj se po të ishte kërkesa Kosova Republikë, një kërkesë boshe, një kërkesë në ajër, një kërkesë mendjelehtë, një kërkesë të cilën e kanë bërë avanturierët, një kërkesë të cilën e kanë bërë ata të cilët ëndrrojnë pa baza, pa kurrfarë dyshimë Beogradi qysh më 11 mars të këti viti (1981 I.R.), do të dilte me dokumentin për njohjen e statusit të Republikës së Kosovës dhe do të thoshte: Urdhëroni shqiptarë, ja ku e keni Republikën. Por a është kështu po e shofim që afro nënë muaj (është fjala mars - nnëntor 1981 ). Gjitha forcat, gjithë plehun, gjithë vrerin shovinist të shtatdhjetë e kusur viteve, qindra vjetëve të mëparshëm, Beogradi tash e ka grumbulluar për ta shtypur kërkesën Kosova Republikë. Prandaj, ne po të donim ta thjeshtësonim punën, mund të nisemi nga ky moment. Po të ishte kjo kërkesë me rëndësi të vogël, ose fare pa rëndësi, padyshim Beogradi do ta shfrytëzonte rastin dhe do të na e bënte qefin. Por, meqë kjo është një kërkesë shumë vitale për popullin shqiptar, Qeveria e Beogradit si një qeveri e tërbuar në kulm, na e mohon me aq këmbëngulje, ose më mirë me thënë po përpiqet të na e mohoj me aq këmbëngulje, për arsyeje se a do të mund të na e mohoj, do të tregoj e nesërmja. E, shenja se si do të mbaroj puna kemi edhe sot. Nuk duhet të kemi iluzione se populli shqiptar është populli më fisnik në botë, se populli shqiptar ka dallime të mëdha me popujt tjerë. Duhet të jemi realist dhe të themi se populli shqiptar është si të gjithë popujt, por të cilin vështërsitë, tragjeditë kombëtare gjatë historisë e kanë prurë deri në këtë shkallë sa ai sot të tregoj një afinitet për të qenë një popull luftarak, për të qenë një popull fisnik, për të qenë një popull i cili respekton të drejtat e tjerëve, i cili i do shumë, madje nuk mund të jetoj pa të drejtat dhe liritë e veta. Në qoftëse populli shqiptarë ishte në gjendje që në vitet 1936-1937 të dërgojë në luftë për Republikën e Spanjës luftëtarë si Asim Vokshi, Xhemail Kada e tjerë, atëherë si mund të dyshojmë dhe nëse dyshojmë në forcat progresive të botës do të gabojmë për arsye se është një mori njerzish liridashës që lirinë e të tjerëve e rrespektojnë si lirinë e vet. Kurrsesi nuk duhet të dyshojmë në ndihmën që do ta kemi nga forcat progresive të botës."

     Lidhur me pozitën dhe fatin e shqiptarëve në viset tjera etnike, a mos janë harruar a tradhëtuar, dëshmori Jusuf Gërvalla, ka thënë( I.R.): "Natyrisht se kjo do të varet shumë edhe nga vëllezrit tanë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi se sa do t´i afrohemi kërkesave tona objektive, plotësisht të ligjëshme. Po të jet puna te kosovarët, padyshim se ata që i kanë pjekur hesapet, ata që e kanë shtrydhur mendjen në mars dhe prill 1981 dhe për këtë që po vazhdon e sidomos për atë që do të vijë, këtu është fjalë e rënd që të flitet për ndonjë tradhëti të tillë, apo për ndonjë harresë. Por, që të arrihet përfshirja e gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi brenda kufinjëve të ardhshëm të Kosovës, varet shumë nga vet veprimtaria që do të zhvillojnë vëllezërit tanë në këto troje. Vet kërkesa Kosova Republikë flet qartë se në këtë moment, populli shqiptar në Jugosllavi ka përcaktuar idetë për një Republikë.

     A është e drejtë kjo, mund të kthehemi mbrapa në histori. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në kohën e kryengritjeve të mëdha të Kosovës (1908-1912), kushtet objektive nuk lejonin që populli në atë kohë të dilte menjëherë me kërkesën për pavarsi të plotë të Shqipërisë. Por, në atë kohë populli u detyrua të dal me kërkesën për autonomi, në radhë të parë, e cila do të ishte themel i shëndoshë edhe për luftën e mëtutjeshme për fitoren e pavarësisë së plotë të popullit shqiptar. Një rrugë të tillë (sado që historia nuk përsëritet) na imponohet edhe ne popullit shqiptar në Jugosllavi dhe gjithë kombit tonë kur është fjala për realizimin e të drejtave tona, qoftë në kuadër të kufinjëve jugosllav, qoftë në bashkimin e plotë që do të bëhet nesër patjetër mes gjithë shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre. Populli nuk është duke pritur fare. Ai me aksione të ndryshme, me parulla, me sabotimin e diferencimeve politike, me injorimin e tyre dhe çdo mënyrë tjetër është duke marrë të gjitha masat që të mos pajtohet me situatën të cilën na e imponon Qeveria e Beogradit. Populli ka bërë një hap të drejtë, një hap të ligjshëm. Populli është padyshim ai i cili din më së miri deri kur duhet të pres që të realizohet kërkesa Kosova Republikë. Ai i cili po tregohet kaq i durueshëm, do të dijë se deri kur do të shtrihen kufinjët e durimit. Ne si bijë të ati populli, kurrsesi nuk duhet të vëhemi në gjumë, nuk duhet të kotemi. Duhet të jemi syqelë, ta mbasim pulsin e popullit dhe të presim prej tij ato detyra që na shtron.Të presim ato rrugë që na përcakton dhe të jemi gjithëmonë të gatshëm që t´i përgjigjemi. S’ka kurrfar dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vet poshtë dhe të dal me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jet bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar."

Në 26 vjetorin e demonstratës së parë  në Bern të Zvicrës

 

DEMONSTRATA E BERNIT SHËNOI KTHESË TË MADHE NË

ORGANIZIMIN E MËRGATËS SHQIPTARE NË PERËNDIM

 

Shkruan: Ismet RASHITI

(www.pashtriku.org – 16.06.2007 / 15:35)

 

     Pasi kishte marrë mendimin e tyre Kadri Zeka me Hasan Malën, Kadri Avdullahun, Zija Shemsiun dhe shumë veprimtarë të tjerë në Cyrih, St.Gallen, Bern, Gjenevë dhe Bulle të Friburgut, kishin arritur të organizojnë demonstratën e parë më 11 prill 1981 në Bern të Zvicër. « Vërtetë ishte vështirë të organizohej një demonstratë e tillë para 26 viteve, meqë njerzit nuk ishin të informuar sa duhet, madje edhe frigoheshin të flisnin e të kontaktonin me njëri tjetrin. Na mungonte edhe përvoja  për organizimin e demonstratave », shprehet pas kaq vitesh njëri nga organizatorët, Hasan Mala.  Parullat  e para në pllaka të mëdha në gjuhën shqipe dhe gjermane të shkruara në Cyrih nga  Ismet Rashiti dhe zvicranja Sara Gretller, ishin: »Kosova Republikë!» »Ne jemi me Kosovën», «Ne jemi me studentët!», « Republikë vetvendosje ! », « Duam lirimin e të burgosurve ! », « Poshtë terrori dhe dhuna serbe në Kosovë !», « Jemi shqiptarë-nuk jemi jugosllav », « Poshtë tradhëtarët ! », « Poshtë UDB-ja jugosllave ! » .

***

Mërgata shqiptare përkrahë demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

     Përkundër presionit të madh dhe shantazheve të ambasadave ish jugosllave për t´i dënuar demonstratat studentore të vitit 1981 në emër të punëtorëve shqiptarë në Zvicër, nuk ia kishin arritur këtij qëllimi. Sado që aso kohe aty këtu, përfaqësitë diplomatike kishin dërguar ndonjë telegram në emër të tyre, pa i pyetur ata, mërgata shqiptare me kohë kishte dalur hapur dhe kishte mbrojtur me forcë kërkesat e shtruara për zgjidhje në demostratat historike të vitit 1981. S´kishte si të ndodhte ndryshe kur dihej fakti se punëtorët shqiptarë ishin shtresa më e lënë pasdore e shoqërisë. Ndaj tyre askush dhe në asnjë rast nuk tregonte interesim. Përveç punëve të rënda dhe mallit të pashuar për atdheun dhe familjet  që aso kohe ishte shumë më i madh, ndaj kësaj pjese të shoqërisë shqiptare ndiqej një politikë perfide për t’i ndarë e përqarë ata sipas interesave të qarqeve të ndryshme antishqiptare. Më e angazhuara në këtë drejtim ishte UDB-ja ish jugosllave përmes elementëve të saj destruktiv që kishte arritur t´i rekrutonte në radhët e mërgatës. Nuk ishin të pakta edhe rastet e presioneve të drejtpërdrejta përmes telefonit që u bëheshin veprimtarëve të çështjes kombëtare nga inspektorët e sigurimit ish jugosllav të cilët  i kishin vënë në shënjestër, duke i etiketuar me emra të ndryshëm si « armiqë të popullit », « irredentistë », « separatistë », « kundërevolucionar » etj.

 

Kadri Zeka e Zija Shemsiu

     Kështu pra demonstratat studentore në Kosovë të cilat më vonë morën karakter gjithpopullor, në mesin e  mërgatës shqiptare, u mirëpritën me një entuziazëm të madh. Ato filluan të përkrahen si një shkëndi drite e shprese për popullin shqiptar. Ndonëse ishin të vetëdishëm se pas kthimit në Kosovë, atyre mund t’u merreshin pasaportat e madje  edhe  mund të burgoseshin  siç edhe ndodhi më vonë, punëtorët mërgimtarë, dolën hapur në mbrojtje të  demonstratave dhe kërkesave që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar. Revolta kundër regjimit të Beogradit që i kishte katandisur « përkohësisht » rrugëve të botës si dhe masat e egra policore kundër rinisë shqiptare; burgosjet, ndjekjet dhe masat diferencuese kundër pjesamrrësve në demonstrata  kishin ndikuar që mërgata shqiptare të bashkohet dhe solidarizohet  me kërkesat e drejta gjithpopullore. Në vitet tetëdhjeta ish Jugosllavia kishte ndikim të madh, ndaj edhe organizimi i demonstratave ishte tepër i vështirë. Ambasadat ish jugosllave nuk lenin gur pa lëvizur për t´i penguar ato, duke filluar nga intervenimi te organet zvicrane, duke i quajtur punëtorët shqiptar « terroristë » e deri te kërcënimet për marrjen e pasaportave dhe burgosjen e tyre pas kthimit në Kosovë për pushime. Të gjitha këto masa ishin ndërmarrë në mënyrë që ta fshihnin realitetin që kishte ndodhur në Kosovë.

Si u organizua demonstrata (më 11 prill 1981) në Bern të Zvicrës

     Ishte fat i madh që në mesin e tyre atë botë  ndodheshin Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të cilët me urtësi dhe menquri të jashtëzakonshme ditën t´i drejtojnë dhe bashkojnë punëtorët shqiptarë drejt një qëllimi të përbashkët. Vetëm dhjetë ditë pas demonstratave popullore  të 1 dhe 2 prillit 1981 në Prishtinë, Kadri Zeka  pasi ishte konsultuar me shokët brenda kishte dalur në Gjermani  dhe ishte konsultuar edhe me Jusuf Gërvallën dhe Ibrahim Kelmendin  lidhur me organizimin e demonstratës së parë në Bern. Pasi kishte marrë mendimin e tyre Kadri Zeka me Hasan Malën, Kadri Avdullahun, Zija Shemsiun dhe shumë veprimtarë të tjerë në Cyrih, St.Gallen, Bern, Gjenevë dhe Bulle të Friburgut, kishin arritur të organizojnë demonstratën e parë më 11 prill 1981 në Bern të Zvicër. « Vërtetë ishte vështirë të organizohej një demonstratë e tillë para 26 viteve, meqë njerzit nuk ishin të informuar sa duhet, madje edhe frikoheshin të flisnin e të kontaktonin me njëri tjetrin. Na mungonte edhe përvoja  për organizimin e demonstratave », shprehet pas kaq vitesh njëri nga organizatorët, Hasan Mala. Me organizimin e kësaj demonstrte punëtorët mërgimtarë dëshmuan hapur para opinionit  se çëndrojnë krah popullit të tyre dhe kërkesave për liri. Në demonstratën e parë morën pjesë rreth 350 punëtorë shqiptarë. Krahasuar me shkallën e organizimit, mosinformimin e duhur, mospërvojën dhe numrin shumë herë më të  vogël se sot të mërgimtarëve që atë kohë punonin në Zvicër, jehona e kësaj demonstrate ishte jashtzakonisht e madhe. Televizioni dhe shtypi zvicran i kushtuan rëndësi të veçantë. Kjo demonstratë ishte një goditje e madhe për Jugosllavinë vetëqeverisëse, e cila aq shumë proklamohej si një « parajsë » ku gjoja të gjithë njerëzit dhe popujt i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta. Parullat  e para në pllaka të mëdha në gjuhën shqipe dhe gjermane të shkruara në Cyrih nga  Ismet Rashiti dhe zvicranja Sara Gretller, ishin : »Kosova Republikë ! » »Ne jemi me Kosovën », « Ne jemi me studentët ! », « Republikë vetvendosje ! », « Duam lirimin e të burgosurve ! », « Poshtë terrori dhe dhuna serbe në Kosovë ! », « Jemi shqiptarë-nuk jemi jugosllav », « Poshtë tradhëtarët ! », « Poshtë UDB-ja jugosllave ! » . Të gjitha këto parulla u bartën në duarë e demonstruesve dhe u brohoritën fuqishëm nëpër rrugët dhe sheshet e Bernit deri para ambasadës ish jugosllave.

 

11 Prill 1981: Pamje nga demonstrata e Bernit

     Në ballë të demonstruesve printe  Kadri Zeka, i cili me zërin e tij të fuqishëm, fliste para të pranishmëve për gjendjen e rënd ekonomike në Kosovë, për guximin e pashoq të rinisë studentore, për papunësinë e madhe, gjendjen e vështirë të mërgatës shqiptare, kërkesat gjithëpopullore për liri dhe fitoren e sigurt. Organizimin e kësaj demonstrate e kishin ndihmuar veprimtarë të përkushtuar dhe të dëshmuar edhe sot e asaj dite si Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi, Hyzri Reka e shumë të tjerë, që kishin ardhur nga shumë qytete të Gjermanisë, Shyqeri Ukshini, Gafurr Qalaj, Jakup Halimi, Adem Islami, Shabi Hajdini, Qamil Salihu, Ilaz Devaja, Ejup Ahmeti  nga Gjeneva.  Hasan Kadriu nga qyteti Bulle i Friburgut. Rexhep Halimi, Arif Idrizi, Ragip Rexhepi, Saqip Zymberi, Vebi Kastrati, Nazif Kastrati, Shefket Musliu, Ilaz Krasniqi nga Cyrihu. Ramiz dhe Isa Avdyli, Hivzi Thaçi, Nexhmedin Ahmeti nga St.Galleni. Zahir Kamberi  dhe prisi i demonstratës së parë dhe shumë demonstratave tjera më pas me Flamur Kombëtar, Rrustem Mahmuti nga Berni. Të emocionuar nga gjendja e rënd që kishte pllakosur Kosovën, pjesmarrësit shprehnin revoltën e tyre kundër akteve barbare të policisë, kundër atyre që kishin dhënë urdhur për vendosjen e orës policore, kundër udhëhqësve krahinor dhe federativ të asaj kohe, të cilët demonstratat paqësore të popullit shqiptar i cilësuan si  « armiqësore » e « kundërrevolucionare « . Ishte shumë emocionues fjalimi i Kadri Zekës, i cili gjatë gjithë kohës u përcoll me lot në faqe nga të gjithë të pranishmit. Herë pas here masa e tubuar dhe e revoltuar para ambasadës jugosllave brohoriste fuqishëm parullat, « Kosova Republikë!», «Ne jemi me studentë ! »,  «Ne jemi me Kosovën!» e shumë të tjera. Ambasadat ish jugosllave duke harruar misionin e tyre dhe vendin se ku ndodheshin, në shumë qoshe të qytetit, kishin angazhuar njerëz me aparate dhe kamera me qëllim të denoncimit të mërgimtarëve pjesmarrës para organeve të UDB-es, e cila kishte hapur sy e veshë për të parë e përgjuar çdo lëvizje që bëhej  aso kohe për Republikën e Kosovës. Pasojat e këtij përgjimi më vonë i përjetuan shumë punëtorë mërgimtarë, të cilëve me t’u kthyer në Kosovë ua merrnin pasaportat, i maltretonin dhe i burgosnin. Shumë nga ta u dënuan me nga tri e deri pesë vite burg për një pjesmarrje në demonstratë. Nuk ishin të pakët skenarët që kishte përgatitur UDB-ja për të krijuar ekcese me qëllim që të arsyetohej propaganda antishqiptare për pengimin e kësaj demonstrate dhe veprimtarive tjera të mëtutjeshme me interes kombëtar. Nga kjo demonstratë iu dërgua  peticion  organeve më të larta partiake e shtetërore të ish Jugosllavisë të cilin paraprakisht e lexoi para të pranishmëve Kadri Zeka. Më pas  bashk me veprimtarin shumëvjeqar, Rashit Rashitin, peticionin e parë me kërkesat e demonstruesve   ia dorzuan në dorë ambasadorit të ish Jugosllavisë në Bern. Përmes këtij peticioni demonstruesit kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të terrorit në Kosovë dhe njohjen e të gjitha kërkesave legjitime që kishte shtruar populli shqiptar i Kosovës për zgjidhje në rrugë paqësore e demokratike. Demonstrata e parë, organizuar më 11 prill 1981 në Bern, shënoi njëkohësisht një kthesë të madhe në organizimin e mërgatës shqiptare në shtetet evroperendimore. Menjëherë pas kësaj pasuan demonstratat tjera si në Cyrih, Gjenevë, Shtdgard, Dyzeldorf, Frankfurt dhe Bruksel. Nisi kështu të vëhej në jetë ideja e dëshmorit Kadri Zeka për një organizim të pavarur nga ambasadat ish jugosllave. I pari klub shqiptar që shkëputi çdo lidhje me ambasadën ish jugosllave në Gjermani ishte « Emin Duraku » nga Dyzeldorfi, meqë anëtarët dhe veprimtarët e këti klubi nuk pranuan t´i dënojnë demonstratat paqësore në Kosovë ashtu siç kërkonte ambasada. Më pas klube të pavarura u themeluan edhe në Gjenevë « Ikballe Prishtina », në Lozanë « Asim Vokshi », në Bulle « Shote Galica », ndërkaq Klubi « Përparimi » në Cyrih nga seksioni që vepronte në kuadër të klubit serb « Slloga » u shkëput dhe u themelua si klub shqiptar më vehte. Edhe pse nuk kishte arritur të shkëputet nga ambasada ish jugosllave « Përparimi » i Cyrihut ka qenë krejtësisht në funksion të çështjes kombëtare shqiptare. E gjithë kjo falë angazhimit dhe sakrificës së punëtorëve, disa prej të cilëve pas kthimit në Kosovë për pushime janë maltretuar, ndjekur dhe burgosur nga UDB-ja ish jugosllave. Është me interes të thuhet se gjenerata e parë e veprimtarëve të cilët i kishte angazhuar dëshmori Kadri Zeka, gjatë gjithë këtyre viteve kanë çëndruar në ballë të veprimtarive për çështjen e Kosovës. Pjesa më e madhe e tyre për shkak kësaj veprimtarie patriotike ishte rrezikuar dhe nuk ka guxuar të kthehet  në atdhe për dy dekada me radhë.  Që nga viti 1981, mërgata shqiptare ka qenë pjesë e pandarë e të gjitha zhvillimeve politike   në Kosovë. Organizimi i demonstratave dhe manifestimi i tubimeve të shumta për Kosovën, bashkpunimi me vendasit, oragnizimi i jetës kulturore dhe politike dhe sidomos ndihmat e mëdha financiare që ka dhënë sa herë që është kërkuar, dëshmojnë përkushtimin dhe kontributin e saj tepër të madh. Gjatë gjithë këtyre viteve, mërgata shqiptare  sado larg atdheut gjeografikisht, kurdoherë ka punuar, menduar dhe ka marrë frymë me Kosovën si një krah i  fuqishëm i saj.

 

Demonstratat e vitit `81 në fokus të shptypit të huaj

RËNDËSIA DHE JEHONA E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981

NË OPINIONINE BRENDSHËM DHE ATË NDËRKOMBËTAR

 

Shkruan:  Ismet RASHITI

(www.pashtriku.org – 10.06.2007

 

Karakteri gjithëpopullor i demonstratave të vitit 1981

      Demonstratat paqësore të mars-prillit të vitit historik 1981, të cilat regjimi i Beogradit i shtypi me gjuhën e forcës policore, padyshim se bënë jehonë të madhe edhe jashtë kufinjëve të ish Jugosllavisë. Fillimi i demonstrtave studentore më 11 mars 1981 dhe masovizimi i tyre më 1 dhe 2 prill 1981, duke marrë karakter popullor, ishin hapi i parë për zbulimin e padrejtësive të mëdha historike që i ishin bërë popullit shqiptar dhe zhvillimit shumëherë më të vogël ekonomik të Kosovës karshi republikave tjera ish jugosllave. Me një fjalë demonstratat e vitit 1981 ishin filli i parë i zbulimit para opinionit ndërkombëtar të një realiteti tjetër nga  ai me të cilin krenjohej Jugosllavia si « një shtet ku të gjithë popujt që jetojnë brenda kufinjëve të saj gëzojnë të drejta të barabarta kombëtare e njerëzore » . Për të qenë ironia edhe më e madhe, deri me fillimin e ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, udhëheqësit komunistë jugosllav, përpiqeshin t’u jepnin leksione bashkësisë ndërkombëtare se gjoja Jugosllavia e ka zgjidhur drejt çështjen kombëtare dhe se për këtë meriton të merret  model nga shumë shtete tjera. E gjithë kjo propagandë bëhej pikërisht në kohën kur në burgjet jugosllave mbaheshin të burgosur qindra djemë e vajza shqiptare vetëm pse kishin guxuar të kërkonin hapur shkollim në gjuhën amtare, përdorimin e lirë të Flamurit Kombëtar, hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe njohjen e statusit të Republikës së Kosovës ashtu siç ishin edhe gjashtë republikat tjera në kuadër të  Federatës së ish  Jugosllavisë. Shqiptarët, pra, mbaheshin në burgje, vriteshin e akuzoheshin për fjalën e lirë, për kërkesa paqësore që kishin të bënin për një mirëqenjë më të mirë dhe që shprehnin paknaqësinë e tyre kundër diskriminimit kombëtar, ekonomik, arsimor e kulturor karshi popujve tjerë. Rëndësia më e madhe e ngjarjeve të vitit 1981, në planin ndërkombëtar, çëndron në faktin se ato ishin të parat revolta të cilat sikur e « zbuluan » Kosovën dhe shprehën habinë para botës së qytetruar e demokratike (!) se si është  e mundur  që Jugollavia e Titos e proklamuar aq shumë  ta urdhërojë policinë dhe ushtrinë për vrasjen   demonstruesve  paqësor të cilët nuk bënë asnjë krim tjetër, përveqëse kërkuan të drejtat e tyre në mënyrën më normale e demokratike. Për hirë të një realiteti, duhet të themi se atë botë edhe pas këtyre ngjarjeve ende kishte nostalgjik e miop politik, brenda dhe jashtë Jugosllavisë të cilët nuk mund të pajtoheshin  asesi me realitetin e ri që nxorën në shesh demonstratat dhe protestat gjithëpopullore në Kosovë. Në radhë të parë ishin udhëheqësit e republikave tjera federative joserbe, të cilët edhe pse këto demonstrata, u vlerësuan nga opinioni ndërkombëtar si paralajmërimi i parë për rrezikun e pashmangshëm që u kanosej popujve të ish Jugosllavisë nga hegjemonistët dhe unitaristët serbomëdhenjë, ata u futën në këtë lojë të rrezikshme, duke i vlerësuar këto demonstrata si « kundërrevolucionare », « nacionaliste », « separatiste » e tj. Për më tepër udhëheqësit  më të lartë të këtyre republikave dhe autonomistët shqiptarë të Kosovës , duke mos e kuptuar, duke e kuptuar e mosguxuar të marrin parasyshë kërkesat gjthëpopullore, duke qenë të bindur se autonomia është e mjaftueshme për shqiptarët, duke qenë të kënaqur në karriget e tyre, duke qenë të bindur në « drejtësinë «  e politikës titiste, apo edhe për ndonjë arsye tjetër, pranuan dhe u futën  me shpirtë e zemër në shërbim të politikës shoviniste serbomadhe,   e cila dal nga dal po dilte hapur në skenë. Kështu pra,  udhëheqësit e republikave tjera joserbe në federatën ish jugosllave dhe sidomos udhëheqësit autonomistë shqiptarë, duke i shpallur luftë të hapur kërkesës Kosova Republikë  si një kërkesë « kundërevolucionare », në fakt forconin qëllimet dhe pozicionet serbe në dëm të popujve të tyre. Ngjarjet e vitit 1981, përpos rëndësisë historike në planin kombëtar, kanë edhe rëndësinë tjetër tepër të madhe në planin ndërkombëtar sado që ish Jugosllavia përpiqej t´i minimizonte përmes intesifikimit të diplomacisë dhe mjeteve të informacionit publik që aso kohe ishin krejtësisht në shërbim të aparatit shtetëror. Përkundër këtyre përpjekjeve e vërteta për Kosovën dhe shqiptarët ngadale po sigurt kishte filluar të depërtonte. Përdorimi i dhunës dhe gjakderdhja e shkaktuar nga forcat policore federative zbuluan fytyrën kriminale të udhëheqjes federale që atëherë dominohej nga unitaristët serbë.

Shtypi perëndimorë për ngjarjet e pranverës së vitit 1981 në Kosovë

     Bota demokratike dhe shtypi i pavarur evroperendimor nuk i panë këto ngjarje me syzet e Beogradit. Menjëherë pas gjakderdhjes ata filluan të reagojnë përmes komenteve dhe artikujve të shumtë analitik, duke informuar drejt opinionin e gjërë rreth së vërtetës që kishte ndodhur në Kosovë. Kështu pra gazeta e njohur gjermane « Frankfurter Algemeine », vetëm gjashtë ditë pas demonstratav, më 09 prill 1981, shkruante : » Kur u vjen uji deri në fyt diktaturave fashiste të Amerikës Latine, ashtu si dhe tani vetëqeverisjes jugosllave, reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjajshme ».Duke folur për kërkesat e shqiptarëve kjo gazetë, këtu e 26 vite më parë shkruante se « në demonstrata doli kërkesa Kosova republikë ! Demonstruesit kërkuan që statusi i autonomisë së Kosovës të jetë i njejt me statusin e republikave tjera që përbëjnë federatën jugosllave ».  Nga ana tjetër përpjekjet e udhëheqësve jugosllav që të paraqesin gjendjen sikur demonstratat e popullit shqiptar të jenë drejtuar kundër popujve jugosllav dhe pakicës serbe në Kosovë, e njejta gazetë në një artikull tjetër të datës 27 prill 1981, i mohon kështu : »Të gjithë vrojtuesit vërtetojnë se demonstratat e shqiptarëve, përkundër karakterit nacional, nuk janë të drejtuara kundër pakicës serbe » . Gazeta suedeze, » Zundsvalstindling » në një artikull me titull : »Ngjarjet në Kosovë shqetësojnë shumë udhëheqësit e Beogradit », botuar menjëherë pas demonstratave të 1 dhe 2 prillit 1981, shkruante : » Demonstruesit kritikonin shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi. Ata kërkonin liri si dhe krahina e Kosovës të shpallet Republikë. Për këtë qëllim autoritetet e Beogradit, i quajtën demonstruesit « nacionalistë », « separatistë » dhe « kundërrevolucionarë ». Nga ana tjetër gazeta amerikane « Nju-York Tajms » e datës 27 prill 1981, veç tjerash ngjarjet e Kosovës i vlersonte kështu : « Shteti federativ jugosllav tashmë i ka gjashtë republika. Çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë ? Pse Kosova të mos jetë republikë kur 85 % e banorëve të saj janë banorë etnik « ? Nga ana tjetër gazeta greke « Tovina » bën këtë koment mbi ngjarjet në Kosovë : « Nuk duhet ta zvogëlojmë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin në rajonin autonom të Kosovës, në kufi me Shqipërinë, edhe nëse kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk po i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë një paralajmrim serioz… », shprehet kjo gazetë menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Ndërkaq në një koment të gjatë me titull « Kosova e varfër dhe e diskriminuar », gazetari spanjoll Torro Riesko, në gazetën spanjolle « Avoi » shkruante : « Shqiptarët e Kosovës konsiderohen njerëz të përbuzur në Jugosllavi. Kosova është krahina më e prapambetur e Jugosllavisë dhe e gjithë Evropës. Ekziston një pabarazi e dukshme në mes Kosovës me minerale dhe republikave tjera. Që nga mbarimi i luftës represialet atje kanë qenë të egra… » Janë këto reagimet e orëve të para pas demonstratave të fuqishme të vitit 1981. Shtypi evroperendimor qyshë në vitin 1981, çështjen e Kosovës e ka paraqitur si problem serioz që kërkon zgjidhje adekuate. Në të kundërtën kjo plagë e hapur do të paraqes rrezik të përhershëm për shpërthimin e krizave të përgjakshme në Ballkan dhe më gjërë. Ngjarjet që rrodhën njëra pas tjetrës gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, vërtetuan  më së miri karakterin dhe rëndësinë e madhe historike që kishin demonstratat e vitit 1981. Ato sikur ishin një paralajmrim i madh për zhvillimet e mëtutjeshme dhe synimet e politikës  hegjemoniste serbe për krijimin e Serbisë së madhe dhe dominimin e saj mbi popujt tjerë joserb.

 

Demagogjia e vjetër e Azem Vllasit

 

AZEM VLLASI DUHET TI KËRKOJ  FALJE PUBLIKE  LËVIZJES

STUDENTORE DHE POPULLIT SHQIPTAR

 

Lidhur me pikpamjet e Azem Vllasit  rreth ngjarjeve historike të vitit 1981

të shprehura  herë pas here në mjetet e informimit të Kosovës.

 

Shkruan: Ismet RASHITI

(www.pashtriku.org – 05.06.2007)

      Për udhëheqësit politik që i gëzohen vetëm mirëqenjës së tyre, që nuk punojnë e rrezikojnë asgjë për ndryshimin e gjendjes në të mirë të kombit të tyre, është « normale » të mendojnë se ndryshimet që dëshirojnë ti bëjnë të tjerët qoftë edhe duke e rrezikuar jetën, të vlerësohen si të « parakohshme » dhe të « dëmshme ». Këta udhëheqës të tipit politik si Azem Vllasi, bëhen edhe më këmbëngulës në mbrojtjen e vlershmeve të tilla paushalle  kur i kanë sytë në ballë dhe i shohin për çdo ditë dështimet dhe gabimet e mëdha politike që kanë bërë para dy dekadave e gjysmë kundër popullit shqiptar. Ata që kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të demonstratave të   mars-prillit 1981 dhe të tjerët që pak a shumë kanë qenë të lidhur me ato ngjarje, e veçanërisht populli shqiptar që ka bartur mbi kurriz gjendjen e rënd ekonomike dhe politike gjatë asaj kohe dhe mëpastaj   nuk kanë si të pajtohen me pikëpamjet e shprehura dhe me të pavërtetat e zotit Azem Vllasi. E vërteta është se autonomistët e tipit   Vllasi nuk kanë bërë  gjë tjetër për  popullin shqiptar përveç se kanë zbatuar me përpikërinë më të madhe politikën antishqiptare të unitaristëve dhe hegjemonistëve serbomdhenjë  dhe kanë ruajtur deri në fund kolltukun e tyre të butë. Kjo me të vërtetë është « meritë » e tyre dhe nuk duhet mohuar kurrsesi. Krejt diçka tjetër është dëshira për të ndryshuar gjendjen pa humbur e rrezikuar asgjë nga privilegjet personale e krejt diçka tjetër është me sakrifiku në të mirë të popullit të cilin e përfaqëson. Nga ajo që është thënë atëherë nga z.Azem Vllasi dhe nga kjo që ka pohuar herë pas here në mjetet e informimit të Kosovës, ("Zëri i ditës" dhe RTK) del se Azem Vllasi asnjëherë nuk ka qenë i bindur në drejtësinë e parullës Kosova Republikë. Në takimet me studentë dhe në vlerësimet politike të atyre ditëve, hiseniku kryesor i të cilave është edhe zoti Vllasi, thuhet : « Këto protesta të grupeve nacionaliste janë armiqësore dhe të nxitura nga Enver Hoxha. Këto demonstrata janë të drejtuara kundër vëllazërim-bashkimit, kundër LKJ-së dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse ». Nëse nuk i kujtohen zotit Vllasi mund ta shfletoj shtypin e asaj kohe, « Rilindjen » dhe « Komunistin » që nuk është më pak se dhjetë tonë letër e bardhë e shtypur në të zezë kundër këtyre ngjarjeve. Ato mund të gjinden edhe sot në biblioteka dhe arkiva të Kosovës, por mund ti ketë ruajtur me besnikëri edhe në shtëpinë apo banesën e tij, z. Vllasi.   Pikërisht këto vlerësime në dëm të popullit shqiptarë, e ngritën z. Azem Vllasin nga funksioni i sekretarit të LSPP deri te organet më të larta partiake të Kosovës, Serbisë dhe Jugosllavisë. Dihej se pa qenë i besueshëm dhe aktiv në dënimin e këtyre ngjarjeve, jo vetëm që nuk kishte mundësi reale dikush të ngjitej në postet më të larta partiake, por edhe mund ta gjente fati i disa të tjerëve që pas këtyre ngjarjeve humbën « karrierën » politike. Ndërsa zoti Azem Vllasi deri në fund është shtrydhur si frutë limoni, pra deri atëherë kur Sllobodan Millosheviqi kishte nisur ti burgoste udhëheqësit shqiptarë vetëm pse ishin shqiptarë, e jo pse pritej ndonjë rezistencë nga autonomistët konformistë për moskryerjen e detyrave që merrnin nga Beogradi. Madje Vllasi nuk kishte si ta « mbronte » as autonominë e Kosovës përderisa një dekadë kishte punuar në çeljen e rrugës për ndryshimet kushtetuese që i kërkonin unitaristët serbë në krye me Milloshin. Një gjë të tillë nuk e kishte pranuar vetëm populli shqiptarë që iu desh të dalë rrugëve në protesta e greva ; të kacafytet dhe të përgjaket me policinë serbe. Zoti Azem Vllasi në vend që të dilte në ballë të demonstruesve dhe i pari ta hidhte librezën e kuqe të LKJ-së, ati i dridhej zëri para turmave, duke mbrojtur interesin e tij personal. Jam i prirur të mendoj se edhe sot pas njëzet e gjashtë vitesh, zoti Vllasi e ruan me nostalgji librezën e LKJ-së diku në sirtarët e tij. Populli liridashës shqiptarë sërish e mori në mbrojtje Vllasin, jo pse i dhimbsej, po  pse këtë lojë e bënte Serbia me veglat e saj për qëllimet e veta politike antishqiptare. Për autonomistët e Kosovës edhe padrejtësitë historike, edhe atdhetarët më të devotshëm shqiptarë që u vranë në mbrojtje të idealeve për bashkim kombëtar edhe demonstratat e vitit 1968, edhe demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981 kanë qenë të « parakohshme ». Ata « harrojnë » se edhe autonomia në të cilën thirreshin ata është arritur në saje të përpjekjeve dhe gjakut të derdhur të atdhetarëve shqiptarë në demonstratat e vitit 1968. Athua vallë edhe demonstratat e vitit 1968 paskan qenë të parakohshme për zotin Vllasi, kur dihet fakti se ndryshimet pozitive që sollën ato ngjarje historike të lara me gjakun e rinisë shqiptare i  kanë gëzuar pikërisht këta udhëheqës të cilët  më pastaj i shpallën të ndaluar. Të njëjtin fat e përjetuan edhe pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981. U vranë, u burgosën, u diferencuan, u përjashtuan nga studimet, u larguan nga puna dhe një pjesë e madhe nga ndjekjet UDB-es famëkeqe,  u detyruan të largohen nga atdheu për dy dekada rresht.Kjo tregun më së miri se këta pionier të Titos dhe besnik deri në fund të LKJ-së, asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim ta ndryshojnë gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar që padrejtësisht kishte mbetur nën ish Jugosllavi. Çdo kush që e ka përcjellur me vëmendje një intervistë të gjatë dhënë « Zërit të ditës »,vitin e kaluar, lidhur me demonstratat e vitit 1981, z. Vllasi, duke pasur si barrë mbi supe të kaluarën e tij politike, shpeshherë përpiqej ti ikte realitetit të asaj kohe. Herë shëndrrohej nga « ujku i tmerrshëm» i vitit 1981 në një « qengj » të bukur e përkëdhelës të vitit 2006,  herë bëhej sikur nuk i ka ditur gjërat, se ka qenë në «periferi » të udhëheqjes krahinore, herë ua  hidhëte të gjitha mëkatet të tjerëve që kanë qenë më të « mëdhenj » e madje herë – herë gati se « kalonte në anën e demonstruesve », po t’mos kishin pasur ata simpati për » Enver Hoxhën dhe Shqipërinë e izoluar ». Të vetmen gjë që e pranon hapur në intervistat e tij është fakti se ka qenë një udhëheqës me mendje të kthjellët në kokë që ka realizuar me përpikëri politikën e Beogradit kundër Kosovës Republikë. Kjo mbase edhe merrej me mend qysh atëherë nga studentët, por mirë ka bërë që e ka pranuar edhe vet publikisht. Zoti Azem Vllasi momentalisht është avokat dhe mund ta dijë më mirë se unë se çka do të thotë të jesh përkrahës i së keqes dhe mos ta thuash e pranosh të vërtetën. Po, dorën në zemër, zoti Vllasi jo vetëm që ka qenë përkrahës me vetëdije të plotë, por ka qenë edhe pjesëmarrës në vlerësimin e këtyre ngjarjeve si « armiqësore ». Këtë nuk e ka bërë fshehur zoti Vllasi. Ekzistojnë procesverbalet e mbledhjeve urgjente të LSPP të Komitetit Krahinor të LKJ e tj. Ekzistojnë citate e fjalime të tëra në shtypin  e përditshëm të asaj kohe.

 

Titisti Azem Vllasi

     Nëse vërtetë demonstratat e 11 marsit 1981, Vllasin dhe udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës i kanë zënë të "papërgatitur" dhe nuk kanë ditur si të sillën si ndodhi që pastaj   për një dekadë rresht të bëhet aq shumë luftë kundër « kundërevolucionarve », « separatistëve » , « irredentistëve », « armiqve «  e zoti Vllasi të sillet në të njëjtat pozita herë më poshtë e herë më lartë, po gjithsesi njeriu më i besueshëm i Beogradit zyrtar. Nuk është ligësi as turp, por është e moralshme dhe njerëzore të pranohen publikisht gabimet para popullit tënd dhe populli shqiptar gjithmonë ka ditur të falë e të marrë parasysh rrethanat politike të kohës. Këtë do të duhej ta bënte me kohë Azem Vllasi dhe të gjithë të tjerët  që kanë vallëzuar me të ! Azem Vllasi nuk duhej ta bënte gabimin e dytë pas 26 vitesh, duke u sjellur ndaj atyre ngjarjeve të lavdishme herë si « nënë » e herë si « njerkë ». Në fakt sado që në këto intervista është përpjekur ta ndryshoj mënyrën e të shprehurit, në esencë përmbajtja ishte po ajo e para dy dekadave e gjysmë. Duke i vlerësuar ngjarjet historike të vitit 1981 me logjiken e sotshme, sidomos kur është fjala për adhurimin që ka pasur rinia studentore për Enver Hoxhën, përmes së cilit është identifikuar Shqipëria, Azam Vllasi në mënyrë perfide dhe tepër cinike në intervistën e tij dhënë « Zërit të ditës » sikur ua bëri gjyqin e dytë pas kaq vitesh këtyre ngjarjeve, duke aluduar te Shqipëria që në fakt as atëherë, as sot e as nesër nuk është gabim të shprehet admirim ndaj udhëheqësve politik e shtetëror të Shqipërisë. Ishte dhe mbeti në kujtesën e çdo shqiptari si gabim i madh të shprehet respekt deri në lot dhe përkulje për politikën titiste, për udhëheqësit serbomdhenjë të cilët historikisht kanë ndjekur, burgosur, djegur, pushkatuar e shpërngulur nga vatrat e tyre qindra mijëra shqiptarë. Ishte gabim tepër i madh, madje edhe njollë e zezë e pashlyeshme historike të shkohet në Gazimestan bashkë me Sllobodan Millosheviqin siç kishte pranuar Azem Vllasi ti bëhej krahu i djathtë dhe ti duartrokiste kërcënimeve që i bëheshin ai armik i përbetuar i popullit shqiptar  në emër të LKJ-së, udhëheqës i së cilës ishte edhe z. A.Vllasi. Ti krahasosh parullën demagogjike të vëllazërim-bashkimit » të LKJ-së,  momerandumet e akademikëve dhe platformat politike të unitaristëve serbë për Kosovën  dhe për shpërnguljen e shqiptarëve me  përmbushjen e standardeve si kushte të bashkësisë ndërkombëtare për njohjen e Pavarësisë së Kosovës siç vërvitej e picpillohej si "analist",  Azem Vllasi përmes intervistave të tij, në këtë rast në një emisionin të mëngjesit të RTK-së të  ditës 15 mars 2006 nuk është gjë tjetër përpos një nostalgji  për të kaluarën dhe mjerimin  e tij politik. Përpjekjet  dhe etja e Vllasit për të mohuar çdo lidhje me Millosheviqin dhe dëshirën e tij për të dalur sërish në krye të politikës kosovare, po shihen si dita me diell. Mbase një dëshirë e tillë, qoftë edhe krejt e pamoralshme,  nuk mund ti ndalohet askujt në vendet demokratike, por duhet ta dijë zoti Vllasi dhe çdo kush tjetër nga ajo garniturë humbasësh të mëdhenj se nuk ecet përpara me logjikën, demagogjitë dhe sjelljet e vjetra në një epokë të re. Ata që para 26 vitesh i shpallën këto demonstrata si  «armiqësore » e « kundërrevolucionare», sidomos Azem Vllasi që edhe Universitetin e Prishtinës e pat shpallur më vonë me gojën dhe zemrën e tij « bastion të nacionalizmit shqiptar »që më vonë pranoi edhe ta ndryshonte Flamurin Kombëtar, duke e zëvendësuar atë me një flamur të çoroditur që ia servuan padronët e tij në Beograd dhe që më pas për disa vite rresht propaganduan zëshëm platformat politike antishqiptare të LKJ-së, (mbi bazën e këtyre vlerësime u dënuan mijëra  shqiptarë) duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj fjalës publike. Nëse para 26v vitesh demonstruesit paqësor u vranë me plumba, sot pas kaq vitesh të mos « vriten » me fjalë të pavërteta dhe cinike siç po shprehet z. A.Vllasi, duke u hequr pa fije turpi si "patriot i kulluar". Ky tip demagogu i dështuar, i picpillosur dhe i etur për pushtet, duhet ta kuptoi se kanë ikur kohët e tij njëherë e përgjithëmonë. Ndaj mos të përpiqen ta "lajnë" vehten me të pavërteta, mos të përpiqen të bëhen "patriot", duke i konvertuar veprat e liga të tyre në të mira. Në rrethanat e reja,  është mirë dhe s’paku njerëzore që në vend intervistave të tilla demagogjike, udhëheqësit e atëhershëm si Azem Vllasi me kompani, më së paku që mund të bëjnë, duhet tu kërkojnë falje publike djemve dhe vajzave atdhetarë të Kosovës, atyre që kanë vuajtur vite të tëra burgjeve, dëshmorëve që kanë ra për liri dhe mbarë popullit shqiptarë. Ndërsa më së miri do të ishte që të ballafaqohen me drejtësinë dhe ligjin që ende nuk ekziston për të gjithë ata që i kanë vlerësuar dhe propaganduar ngjarjet e vitit 1981 si « kundërrevolucionare » e « armiqësore ». Që të zhduken të gjitha dilemat, paqartësitë dhe mentalitetet e vjetra rreth këtyre ngjarjeve historike është mirë që Parlamenti i Kosovës, demonstratat e vitit 1981 ti shpallë si një lëvizje paqësore, historike, popullore dhe  liridashëse. Derisa parlamentarëve të sotëm ende nuk ju shkon mendja për një gjë të tillë, mbeten në fuqi vlerësimet absurde, antihistorike,  antipopullore dhe thellësisht antishqiptare të i LKJ-së ndaj këtyre ngjarjeve si « kundërrevolucionare », « armiqësore », « irredentiste », « separatiste » e tj, ndërsa mbi Universitetin e Kosovës ende rëndon vlerësimi si « bastion i nacionalizmit shqiptar », i shpikur pikërisht nga Azem Vllasi.  Në fund dua ta përkujtoj z Vllasi se as me ligj e as me kanun, nuk mundet xhelati dhe viktima me qenë fajtor njësoj siç ke pohuar pa fije turpi  ti  në intervistën tënde. Të gjithë e kuptojmë faktin se është koha për bashkim e pajtim kombëtar për ta zhvilluar Kosovën, po ky pajtim nuk mund të bëhet duke e barazuar fajet në mes atdhetarëve që tërë jetën luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës me ata sahanlëpirës që i shërbyen me zellë okupatorit serb deri sa i shtrydhi si limonin dhe i hudhi në koshin e mbeturinave.  Dhe krejt në fund dua ta përkujtoj se në epokën demokratike gjithmonë duhet të flitet me fakte e jo me demagogji made in YU që i përkasin së kaluarës. E vërteta sado e hidhur që të është duhet thënë ashtu siç ka qenë. Përpiqu të kuptosh zoti Vllasi sa më shumë sepse koha e juaj ka përfunduar përgjithmonë.

&

 

A GJYKOHET LIRIA, BRE?!
(I prekur thell nga gjyqi ndaj Fatmir Limajt)

Eh, Komandant "Çeliku",
Sa jemi prekur atë ditë bre burrë unë dhe Kosova,
Kur të pamë për herë të parë para gjyqit,
Duke u përpjekur ti mundësh përnjëherë,
Djallin, urithat dhe buzëqeshjet tinzare të cinikëve.

Unë dhe Kosova e dimë Komandant,
Që Ti atë ditë nuk ofshaje për poste ministrore,
Për gruan, fëmijët e përlotur,për nënën,
As për xhaxhain e dashur që të rriti, as për babain plak.

E di Komandant, e di që digjeshe për lulet që vet i mbolle në kopsht,
Për Banjën, Malishevën, Drenicën, Prekazin që të erdhën pas me lot,
E di Komandant e di, po ç'të bëj bre burrë,
Kur edhe unë mezi marrë frymë në mesin e hipokritëve.

Eh, Komandant "Çeliku",
Sa jam prekur bre burrë kur të kam parë tek akuzoheshe
Për idealet tua të pastërta si vesa e luleve praverore,
Dhe epopenë e UÇK-së legjendare.

Më fal pashë Zotin Komandant,
Që sot jam plogështuar kaq shumë, po njerëz jemi bre burrë,
Se Ti je vetë Kosova në Hagë e malli më ka marrë,
Të të përqafoj, e të puthi njëherë në ballë.

C'të them tjetër Komandant, fryma më zihet,
Më kanë humbur fjalët, germat, më janë përzier vargjet,
Veç ta dishë se Kosova jonë qëndron e heshtur pas teje,
Pa ua vërë veshin bretkocave dhe gjarpinjëve.

E di Komandant, se duan t'i mbyllin edhe sytë,
Ta ndalojë diellin, dritën dhe krenarinë,
Po Ti je vetë Liria, shpresa dhe ylli që shndritë,
Si meteor Kosove në ishullin e bukur, ku edhe xhelatët ulurijnë.

E di Komandant, e di se zemra të digjet për pëllumbat që të humbën,
Për lisat kryelartë, ëndrrat dhe këngët që këndove me "Kumanovën" në mal,
E di Komandant, e di po ç'të bëj bre burrë,
Kur hipokritët më bien më rënd se plumbat në kokë.

E di Komandant, e di,
Se një ditë do të vish ballëlartë në Kosovën Tënde,
Bashkë me agun e diellit, buzëqeshjet dhe krenarinë,
E Kosova do të presë me këngë dhe lule në duarë.

Parathënia e dramës "Pranvera e madhe"

 

DRAMË ME RREZATIM SIMBOLIK DHE MESAZH TË

SHUMËKUPTUESHËM DHE LARGHEDHËS

 

Shkruan: Akademik Rexhep QOSJA

(www.pashtriku.org – 03.06.2007)

  Drama "Pranvera e madhe" e Ismet Rashitit do të jetë një vepër me interes të veçantë dhe me rëndësi të veçantë në historinë e letërsinë shqipe. Them kështu, para së gjithash, për arsye se në të trajtohet një temë e madhe, shumë e madhe, për letërsinë shqipe dhe them kështu për arsye se kjo temë e madhe, shumë e madhe, për letërsinë shqipe trajtohet në gjininë e dramës - në gjininë në të cilën kjo temë gati se nuk është trajtuar. Titulli i dramës është shumë i qëlluar: "Pranvera e madhe". Dhe, si të mos quhet titull jashtëzakonisht i qëlluar? Me këtë titull janë quajtur ngjarjet e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë. E madhe është quajtur Pranvera e vitit 1981 kur në Kosovë janë bërë demonstratat e rinisë studentore dhe shkollore - demonstratat që çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi, si çështje më e rëndë, më tragjike kombëtare në Ballkan, e kanë rikthyer në skenën politike ndërkombëtare. Në të vërtetë demonstratat e rinisë studentore dhe shkollore shqiptare shënojnë kapitull të ri në historinë e Kosovës. Duke filluar prej këtyre demonstratave lëvizja kombëtare shqiptare për pavarësinë e Kosovës ngrihet në shkallë më të lartë politike, ideologjike dhe organizuese, bëhet lëvizje të cilën pushtuesi - shteti serb dhe Jugosllavia, nuk do të mund ta ndërpresë më pavarësisht prej dhunës që do të ushtrohej mbi organizuesit, ideologët, pjesëmarrësit, veprimtarët e saj.

 

Kopertina e librit "Pranvera e madhe"

     Demonstratat e vitit 1981 - kjo është ngjarja më e madhe historike që sjell Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, që sjell ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe në Jugosllavinë e mbetur, që sjell KFOR-in dhe UNMIK-un në Kosovë, që sjell bisedimet e sotme për statusin e Kosovës, që sjell pavarësinë e ardhshme të Kosovës dhe që, më në fund, pavarësisht çka mendon dhe çka thotë kush, do të sjellë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo ishte Pranvera e Madhe. Kjo ishte Pranvera më e madhe në historinë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Autori i dramës "Pranvera e madhe", Ismet Rashiti, ishte pjesëmarrës i kësaj Pranvere të Madhe, ishte pjesëmarrës i demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore në vitin 1981. Ai sot është dëshmitar historik i asaj Pranvere të Madhe. Drama e tij, "Pranvera e Madhe", siç e thotë edhe vetë, është borxh i tij ndaj asaj Pranvere, ndaj pjesëmarrësve në atë Pranverë, ndaj shokëve - pjesëmarrës në ato demonstrata.

     Kjo është ana morale e dramës.

     Por, drama "Pranvera e Madhe" ka edhe anën tjetër: artistike.

Ajo është dramë e shkruar me dhunti krijuese. Dhe, këtë dhunti e dëshmojnë: mjeshtëria e ndërtimit të konfliktit, ndjenjat dhe mendimet që përmbahen në të, personazhet e veçuara mjeshtërisht, rrezatimi simbolik, mesazhi i shumëkuptimshëm dhe larghedhës. E kuptueshme. Ata që shkruajnë sinqerisht, që shkruajnë për ato që njohin e për ato që ndjejnë ata pashmangshëm do të shkruajnë ashtu siç e ka shkruar Ismet Rashiti "Pranverën e Madhe": me dhunti të veçantë krijuese. Rexhep QOSJA  Prishtinë 15.09.2006

 

Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë

MENDJET E ROBËRUARA TË IDEOLOGJISË TITISTE,

FOKUSUAR NË RTK-në MERCENARE

Përpjekjet konstante të ish-bashkëpunëtorëve të qarqeve të Beogradit, për ta shkelur gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës nuk kanë të ndalur. Këta “stallkerë” të përhershëm dhe të përjetshëm të nostalgjisë titiste, nuk mund të shqiten dot nga e kaluara e tyre, madje nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të ndërruar bindjet, as pas çlirimit të Kosovës nga robëria sllave. Këto mendje të robëruara sikur kërkojnë ta restaurojnë kohën e tyre “të artë”, të cilën, sipas tyre, e paskan shkatërruar “plëngprishësit” shqiptarë sidomos në mars e prill të vitit 1981. Dhe, pikërisht në kohën kur po përcaktohet statusi i Kosovës, pikërisht kur Rusia dhe aleatet e saj po pretendojnë ta zvarrisin dhe ta stërkeqin krejt procesin, kolaboracionistët jugosllavë po bëjnë përpjekje që krejt lëvizjen shqiptare në Kosovë prej vitit 1981 e deri në qershor të vitit 1999 ta paraqesin si të panevojshme, duke bërë përpjekje që në këtë mes të identifikojnë shkaktarët e prishjes së bashkim vëllazërimit, ndërsa fajtor kryesor e kanë shpallur Milosheviqin e vdekur në burgun e Sheveningenit, të cilit i kanë shërbyer, disa prej tyre madje edhe besnikërisht, dhe në anën tjetër fajësojnë edhe “lëvizjen e rezistencës” në Kosovë, të cilën, sipas tyre e paskan shfrytëzuar jugosllavët, apo ndoshta edhe e paskan “krijuar” pikërisht për këtë qëllim. Një refleks të kësaj mendësie të robëruar, në esencë antikombëtare, shikuesit e RTK-së mercenare, kanë pasur rast ta shohin, më 14 prill 2007 prej orës 23.00 deri në 24.00, ne emisionin e ashtuquajtur “Një çerek shekulli” Në dokumentarin e përgatitur nga nostalgjiku i jugosllavizmit, Baton Haxhiu, vërehet në radhë të parë koncepti i degjeneruar i këtij maniaku kolaboracionist, i cili ka përbuzur dhe vazhdon ta përbuz gjakun e derdhur për çlirimin e Kosovës. Për këtë pjesë të emisionit të tij, ai ka zgjedhur ish bashkëpunëtorët më të regjur të regjimit titist-rankoviqist si: Azem Vllasin, Shkëlzen Maliqin, Veton Surroin, Migjen Kelmendin, Mahmut Bakallin, Agim Malën, Zenun Çelajn e të tjerë, të cilët kanë rizbuluar vetveten duke i qëndruar besnikë të përjetshëm vijës jugosllave të të ashtuquajturit ”emancipim të kombësisë shqiptare në Serbi, në përbashkësi me kombet e kombësitë e Jugosllavisë.” Nuk është për t’ u habitur përse RTK-ja i jep hapësirë të pakufishme ish klasës titiste-rankoviqiste jugosllave, por censuron dhe nuk pranon fare prononcimet e kreut të lëvizjes sonë të rezistencës, sidomos atyre të cilët vepruan prej vitit 1981 e deri në qershor të vitit 1999. E kemi thënë edhe herë të tjera se kjo ndodhi, meqë pas luftës çlirimtare në Kosovë, në krye të mediumeve të informimit publik u rikthyen mendjet e robëruara të ideologjisë titiste dhe ish bashkëpunëtorët e servilët më të dëshmuar të jugosllavizmit. Ky restaurim, ndodhi para syve tanë, meqë një pjesë e krahut të UÇK-së iu bashkua kësaj plehurine projugosllave, me qëllim për të vjelë favore dhe për të realizuar synimet karrieriste politike dhe përfitimet nga trafiqet e ndryshme, të cilat i ka udhëhequr dhe i udhëheq aktualisht ish klasa titiste. Në paraqitjet e tyre, besnikët e regjimit jugosllav, kanë bërë përpjekje që t’i dëshmojnë dhe t’i materializojnë idetë e tyre “largpamëse” lidhur me zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, sidomos prej vitit 1981, kur edhe fillon periudha e ndarjes së pjesës dërrmuese të shqiptarëve nga “përbashkësia dhe bashkim vëllazërimi” me jugosllavët. Në të gjitha paraqitjet e tyre të deritanishme, shumica e ish regjentëve të regjimeve jugosllave, asnjëherë nuk ka pranuar fajet dhe tradhtinë kombëtare, që kanë bërë duke i shërbyer OZN-ës, UDB-së dhe regjimit të Milosheviqit. Ata madje janë krenuar dhe krenohen me veprimet e tyre edhe sot e kësaj dite, duke bërë përpjekje të harrojnë, e duke mos folur fare për vrasjet, burgosjet, dënimet dhe të gjitha veprimet monstruoze, që kanë ushtruar regjimet jugosllave kundër liridashësve shqiptarë, në kohën kur këta projugosllavë të përbetuar e të neveritshëm i kanë shërbyer me besnikëri po këtyre regjimeve. Ekzemplari më i neveritshëm i kryeneçësisë kolaboracioniste ka qenë dhe ka mbetur Azem Vllasi, i cili është edhe fajtori kryesor, pse jo edhe i akuzuari i ardhshëm kryesor për krimet, që regjimi titist i ka kryer në vitin 1981 në Kosovë, 11 të martirizuar gjatë demonstratave, dy të vrarë në Prekaz, më 13 maj 1981, 180 të plagosur, e pse të mos jetë Vllasi edhe i bashkakuzuar me të tjerët për kurdisjen e planit të vrasjes pas shpine të tre veprimtarëve shqiptarë anijugosllavë, më 17 janar 1982 në Shtutgart të Gjermanisë dhe për të gjithë të vrarët e tjerë deri në vitin 1989. Vllasi ka mbështetur, mbase edhe e ka shpikur vetë formulimin “kundërrevolucion” me qëllim të vënies së shtetrrethimit në Kosovë, më 3 prill të vitit 1981. Ai është përgjegjësi kryesor për procesin e diferencimit në Universitet, dënimet deri në 20 vjet burg kundër mijëra protestuesve e të tjera. Kjo është përgjegjësi para historisë në radhë të parë, pastaj para popullit dhe familjarëve që kanë humbur bijtë dhe bijat e tyre. Dhe për këtë, herdokur Vllasi dhe “vllasët” gjithsesi se do të përgjigjen. Ekzemplari tjetër i rritur dhe i edukuar nëpër “pivnicat” dhe mejhanet e Beogradit, Shkëlzen Maliqi, i biri i Mehmet Cikulit, Maliqit, Qorrit, vazhdon të akuzojë viktimat, dhe ata që u ngritën kundër Jugosllavisë së Titos, ata që nuk pranuan “jugosllavizmin” e moderuar të Titos, por u ngritën kundër këtyre “vlerave” humane jugosllave. Ky njeri, dërdëllis për gjoja aktivitetin e tij “kundërshtues” me shkrimet që botonte në Beograd, ku edhe jetonte. Mbase edhe ka harruar ky Shkëlzeni, se shkrimet e tij kanë mbetur, dhe ruhen nga individë të caktuar, ndërsa ai nuk ka guxim që asnjërin prej atyre shkrimeve t’ i botojë në gazetën e tij “Ekspress”, ku do të duhej t’ i botonte për hir të faktit se mbahet i moderuar, i paanshëm politikisht dhe profesionalist në profesionin e gazetarit, gjithsesi. Këtë nuk e bën dot ky dërdëllisës, i cili në 25-vjetorin e vdekjes së xhelatit Tito, në gazetën e tij “Ekspress” e përkujtoi atë me nderime dhe respekt të veçantë, ashtu sikur i ka hije birit legjitim, apo dobiçit të Titos.

 

Nostalgjikët e Jugosllavizmit (titizmit): Baton Haxhiu, Azem Vllasi, Shkelzen Maliqi,

Veton Surroi, Migjen Kelmendi dhe Agim Mala

     Ekzemplari tjetër i pluhurinës titiste rankoviqiste, Migjen Kelmendi, po ashtu i jugosllavizuari i natyralizuar, i cili me krejt trupin e mendjen e çoroditur lufton kundër gjuhës letrare shqipe dhe kundër kulturës kombëtare që është krijuar në Shqipëri prej vitit 1945 deri në vitin 1991, edhe ky vitin 1981 e konsideron vit të “përmbysjes” më të madhe që paska ndodhur ndonjëherë. Sepse, sipas tij ishte prishur tërë harmonia e deriatëhershme, dhe gjithçka ishte kthyer mbrapshtë. Migjeni tregon se kur kishte shkuar të kërkonte punë, kishte kuptuar se çka po ndodhte në të vërtetë në Kosovë dhe në Jugosllavi, pas vitit 1981. Natyrisht se fajtor për këtë përmbysje të madhe, sipas tij janë ata që organizuan protestat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, kur na qenka prishur “dynjaja” e tij e iluzioneve serbe e sllave. Ky, Migjeni, mbase ka harruar se në vitet 90, kur shumica e shqiptarëve ishte çkumbarizuar me serbët, ky shkonte e vinte në Beograd, kontaktonte me rokerët e atjeshëm, nxirrte albume ‘profesionale’ dhe bënte shtatë palë qejfe nën regjimin e Milosheviqit, në kohën kur shqiptarët në Kosovë torturoheshin, burgoseshin dhe vriteshin, po nga ai regjim, në kohën kur për shqiptarët liridashës ishin mbyllur shkollat, fabrikat dhe institucionet, në kohën kur UÇK-ja tashmë i kishte filluar aksionet kundër robërisë. Një ekzemplar po ashtu i veçantë i jugosllavizmit po ashtu i natyralizuar me politikën e bashkim vëllazërimit, djali i ambasadorit jugosllav, Veton Rexhai Surroi gjithnjë i moderuar, edhe kësaj radhe nuk ndërroi gjë nga mendësia e tij projugosllave. Ai vazhdon të mbetet besnik i moderuar i jugosllavizmit sikur atëherë kur kishte kërkuar që shqiptarët të zgjidhnin të aderueshmit e vet dhe futeshin në parlamentin serb,( meqë shqiptarët për shumë shekuj paskëshin qenë edhe deputetë të parlamentit turk) sikur atëherë kur kishte krijuar “Ujedinjenje” me kumbarët politikë të Jugosllavisë, ose kur kishte “varrosur” dhunën, ose kur kishte kërkuar që shqiptarët durimtarë të demonstronin me lugë, me tiganë e legenë. Surroi, madje tregon shembuj kur ka qenë paksa edhe i censuruar, madje edhe i suspenduar, por asnjë fjalë nuk e thotë Surroi për “kriminelin” Aziz Kelmendi, sikur e quante ai në editorialin e tij të botuar në “Rilindje” dhe për krimin që sipas tij ushtarët shqiptarë kishin kryer në Paraqin, në shtator të vitit 1987. Madje, Surroi asokohe kishte kërkuar të thellohej lufta kundër indoktrinimit dhe kundër të gjithë nacionalistëve shqiptarë, të cilët sipas tij duhej të çrrënjoseshin ose të shfaroseshin. Surroi me siguri se nuk e ka harruar atë artikull, madje as ka deklaruar publikisht se vetë është autor, apo ia kanë shkruar komentin, dhe ky e ka nënshkruar. Sesi ka arritur Vetoni të mbijetojë dhe të përfitojë aq shumë nën regjimin e Milosheviqit, këtë e dinë të gjithë, madje edhe ata që e pasojnë. Ekzemplari titist, i quajtur Agim Mala, ish drejtor i RTP-së, nuk flet për plaçkitjen e 3 milionë markave, që kishte mbledhur nga shikuesit në Kosovë, në kohën kur RTP-ja ndodhej në krizë financiare dhe kur ky, pasi i kishte tubuar paratë iku nga Kosova dhe shpalli se gjoja paratë ia kishte grabitur regjimi. Edhe ky njeri ka fytyre e faqe të dalë para opinionit dhe të rrëfejë sesi paska ekzistuar censura asokohe, duke harruar se ai ishte kryecensori i RTK-së. Rikthimi në skenën tonë politike dhe mediale i këtyre krijesave të ish regjimeve okupatore, nuk i bën nder kombit, për më tepër dëmton rëndë interesin kombëtar, sidomos tani kur pritet të vendoset statusi politik për Kosovë. Dhe nuk është për t’u habitur përse autoritetet ruse insistojnë që shqiptarët e serbët të zgjidhin çështjet e tyre me kompromis, sepse njohësit e mirë të rrethanave në Kosovë, e dinë se ideja e “jugosllavizimit të kosovarëve” ka shumë ithtarë, madje edhe në vetë Ekipin e Unitetit. Pikërisht për këtë Rusia insiston në një zgjidhje kompromisi, zgjidhje të pranueshme për serbët dhe për shqiptarët. Me shqiptarët e tillët, si këta që kemi apostrofuar dhe të ngjashëm, të cilët tashmë i njohim dhe u dimë prejardhjet, me ndonjë përjashtim të veçantë, mund të krijohet një republikë serbe shqiptare, ku do të qeverisnin të tillët. Mirëpo, rusët dhe përkrahësit e kësaj ideje, megjithatë kanë harruar se kjo plehurinë është ngritur me ndihmën e UNMIK-ut, por nuk i ka rrënjët në aspiratat liridashëse të popullit shqiptar, dhe si e tillë është pjellë e panatyrshme, e cila nuk do të lejohet t’i degradojë proceset pozitive në Kosovë, të cilat u arritën falë gjakut të derdhur për liri, falë sakrificave të të gjitha brezave, që nuk u pajtuan me robërinë as me jugosllavizimin e shqiptarëve. Këta nostalgjikë të papërmirësueshëm të jugosllavizmit nuk e kanë mbështetur luftën tonë çlirimtare, për me tepër kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë favore, në Kosovën që është çliruar nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Pikërisht sepse u lejua që skenën tonë politike e mediatike ta drejtojnë ish komisarët e bashkim vëllazërimit, pikërisht për këtë, për tetë vjet rresht mbeti pezull statusi i Kosovës. Dhe, kjo nuk ndodhi rastësisht. Për tetë vjet këta dhe të tillët nuk lanë gurë pa lëvizur kundër UÇK-së, kundër organizatorëve të kryengritjes shqiptare të Marsit dhe Prillit të vitit 1981 dhe kundër lëvizjes aktive çlirimtare në përgjithësi. Dhe, në këtë drejtim me shantazhe, yshtje, karreme, futën në lojë edhe një segment të caktuar të disa individëve nga lëvizja çlirimtare, e cila duke pranuar bashkëpunimin me ta, përfituan vetë dhe ua përforcuan pozitat këtyre kolaboracionistëve të përjetshëm. Këta politikanë kanë pranuar dhe pranojnë çdo zgjidhje të negociueshme për statusin e Kosovës. Pikërisht sepse fati i Kosovës ka mbetur në duar të kësaj klase, Kosova nuk do të fitojë pavarësi të plotë, madje ka rrezik që me insistimin e Rusisë, këta përfaqësues të rryer e të kalitur të shkollës titiste jugosllave, të pranojnë një status edhe më të degraduar për Kosovën, gjë që do të çonte në një shpërthim të rrufeshëm të forcave çlirimtare.

Më 17.04.2007

 

Reagim

PËRPJEKJE SKANDALOZE E RTK-SË, PËR REHABILITIMIN E

PIONIERËVE TË TITOS!

 

Shkruan: Fadil SHYTI

Suedi, 14.04.2007

 

Një plak i urtë nga Drenica, tash dëshmor i lirisë - duke folur kundër manipuluesve të historisë dhe rrenave të tyre, thoshte:“Nuk po më vjen mërzi se po rrejnë, por po më vjen mërzi se po kujtojnë se po u besoj!” Para dy netësh pikërisht më 9.04.2007, në njërin nga emisionet e një propagande të ethshme kundërshqiptare, shqiptarëve sërish u ra “fati”, t´i shikojnë dhe t´i dëgjojnë përmes ekranit televiziv të RTK-së, pionierët e qullosur titistë, me në krye Azem Vllasin, i cili për më tepër se njëzetë vjet i bëri shërbime të errëta regjimit titist dhe jo vetëm titist, por edhe atij serbomadh deri në fillim – shkatërrimin e ish-federatës jugosllave. Ky pinjoll dinak i agjentit të urryer, Ali Shukriu, i cili do ta porosiste krajlin e ri serb: “ nëse don me i sundue shqiptarët, duhet me jua ba si dreqërve - pra, denoji me uri.”- Po, si të dënohen me uri? ia kishte kthyer miku i tij serb. Largoji të gjithë nga puna, kishte vijuar dhëndërri shkurtpamës i Serbisë. Pastaj S. Millosheviqi, sikur e kishte gjetur “thembrën e Akilit” për ti shtypur shqiptarët.

 

Trojka titiste: Ali Shkuriu, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi

     Mos të harrojmë se në atë kohë i buzëqeshur, tërë shend e verë, i qëndronte përkrah dhe miku i tij Azem Vllasi, i cili me pasuesit e tij, tepër egër “bluante” në mullirin e tij të huazuar nga vëllezërit e mëdhenj dhe miqtë jugosllavë. Por, siç ngjanë kurdoherë në regjimet fashiste, ky “karrem” që futej kudo në ujërat e turbullta, nuk ishte i vetmuar. Natyrisht i kishte insektet në strajcën e tij, si: (mizat, tartabiqet, urithët, gjarpërinjtë, hardhucat ushunjëzat etj., prapa tij i shkonin sejmenët e LKK-së, të cilët i merrnin direktivat nga Serbia, për ato shërbime që duhej t´i kryenin të drejtuar nga padroni i tyre. Këta satrapë, të cilët tani kanë marrë rolin e viktimës, duke mos shkuar më lart, nga viti 1981 e deri me rënien e tyre “heroike”, nuk lanë gur pa lëvizur, duke e dënuar si kundërrevolucionare kërkesën për Kosovën Republikë. Duke bërë këtë tradhti, për interesat e tyre personale, Beogradit i bënë shërbime të mëdha, kurse popullin tonë e lanë në gjak e lot, duke vrarë e burgosur qindra djemë e cuca të Kosovës, - siç theksonte në atë kohë, i madhi Enver Hoxha.

 

Pionieri i Titos, Azem Vllasi duke nënshkruar betimin ushtarak në

Garnizonin e Bileqës më 1976

     Nga brezi ynë, të cilët e kemi përjetuar tepër rëndë atë tradhti të madhe të A. Vllasit me kompani, nuk mund të heshtet aq lehtë, siç mendojnë sot fodullët titistë. Këta, duhet t´ia vejnë gishtin kokës dhe të ndalin turrin e “larjes” së duarve si Pilati. Këta shtihen sikur të ishin atdhetarë të devotshëm e të sinqertë, aq sa paraqiten në mediat tona, fillimisht para së gjithash do t´i kërkonin falje popullit për të gjitha ato krime dhe turpe që kanë bërë. Kërkimfalja, kjo dhunti e lartë njerëzore, nuk mund të gjejë shprehje tek elementët sadistë si ata/ato, sepse nuk ka vend; vendin e saj e zënë dëshirat e tyre që fillimisht të vetë rehabilitohen dhe pastaj veglat qorre të tyre fatkeqësisht e kanë zënë sot kupolën e mediave, duke filluar nga RTK-ja dhe më tej. Pas rehabilitimit, atyre u intereson si asgjë vetëm si për t´u ngritur në shkallët e pushtetit “në Kosovën e pavarur me mbikëqyrje”, alias me kokën nën Serbi, e mbikëqyrur nga administrata evropiane, duke u drejtuar nga tutela serbomadhe. Prej këtyre shkallëve nuk do t´i zbriste kurrë S. Millosheviqi, sikur të mos ngrihej populli në greva, demonstrata dhe madje edhe në luftë. Ata, pajtoheshin dje dhe sot, sigurisht se do të pajtohen dhe nesër me një autonomi “të zgjeruar”, me Kosovën të ricoptuar; të kthehen si djelmoshat plëngprishës në pushtet, bile të pa penduar kurrë!... Xhelatët dhe dinakët titistë shqipfolës le ta heqin nga koka e tyre sa më parë aq më mirë për ta, se me lajka do të arrijnë ta mashtrojnë rininë e sotme heroike, e cila nuk po jeton tani në kohën e xhunglashëvëve të tipit Ali Shukria, Sinan Hasani, Rraman Morina. Pra, nuk po jeton në “Saharanë” e mediave kur popullit i servireshin gënjeshtra të pa fund dhe vetëm me reagime të fuqishme popullore, mund të dihej e vërteta e hidhur për trojet tona shqiptare të okupuara.

     Zotërinj të pandershëm dhe të pamerituar!

     Tani jetojmë në kohën e kibernetikës, prandaj përpjekjet tuaja për mashtrime e tradhti të reja, populli s´do t´i lejojë! Këtu, nuk është vendi të zgjerohem shumë për të kaluarën tuaj, si erdhët pa lavdi në pushtetin e huaj dhe si ikët me “lavdi” nga ai pushtet gjakatarë. Vetëm njërin nga aspektet e ikjes suaj do ta cek këtu: Azem Vllasi me kompani, duke e parë se uraganin popull nuk do të munden ta ndalojnë dot, me dhunë e morën armën tjetër në veprim, pra e morën karremin e mashtrimit. Sa për ilustrim po e ceku një fakt që andej nga anët tona të Shqipërisë veriore e dinë mirë si në dritën e diellit. Kur minatorët trima, vetë flijuesit e Kosovës trime u hodhën në grevën tetë ditëshe më 20 shkurtin e zi të vitit 1989, përveç kërkesave të tyre për dorëheqjen e sahanlëpirësve të Serbisë kriminale, para vetes e shtruan edhe një kërkesë që andej nga nëntoka e pasur me minerale, të shpallej pavarësia e Kosovës. Por, në momentin, kur kjo ide iu parashtrua Azem Vllasit, ky “atdhetar” i regjur për dinakëri reagoi i qetë: “jo, tani s´është koha, tani është koha ta ruajmë të mos e lëshojmë rrugën e “Bubareqit” siç e quante ai, “babin e politikës së tyre, gjakatarin Tito. Punëtorët emërpastër dhe të sinqertë, duke pasur besim të tepruar në udhëheqjen e Kosovës, e dëgjuan besëprerin me lëkurë qengji, i cili në vitin 1981 vërsulej si ujk mbi rininë dhe inteligjencien shqiptare, duke bërë diferencime dhe largime nga puna të intelektualëve më të ndritur të kombit si: Ali Hairin, Ukshin Hotin, Bislim Elshanin, Ekrem Kryeziun, Halil Alidemajn, Gazmend Zajmin dhe atyre qindra yjeve që i bënin dritë shkencës sonë shqiptare. Objektivat kryesore armike atëbotë ishte të shtypej me gjak revolta popullore, kësaj përpjekjeje i shërbenin me të gjitha mjetet dhe format e luftës speciale, titistët dhe pacifistët mjeranë. Pastaj, objektivë e tyre qe dhe mbeti përçarja jonë brenda-kombëtare, kur sulmohej me gjithë arsenalin e armëve propagandistike “Shqipëria e Enver Hoxhës”, siç e quanin atëbotë Shqipërinë jo vetëm ata, por edhe pamfletistët puthadorë të Beogradit në Prishtinë. Pse sulmohej Shqipëria, dhe regjimi i Enver Hoxhës, besoj lexuesit e kanë të qartë. Sulmohej sepse ishte Enver Hoxha dhe qeveria shqiptare, ajo që i përkrahu pa rezerva kërkesat tona revolucionare. Tani, e vërejmë krejt lehtë faktin që sa rrallë po kritikohet nga Beogradi dhe UNMIK-u, qeveria e sotme në krye me Sali Berishën. Pse ngjanë kjo, dihet mirëfilli, – sepse S. Berisha me kompani asnjëherë nuk doli me kërkesa këmbëngulëse për të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta, por kurdoherë ua bëri qejfin forcave të ashtuquajtura demokratike në Ballkan dhe Evropë. Kësaj fushate dje dhe sot i ka prirë kurdoherë pa rezerva RTK-ja dhe shtypi titist dhe pacifist në Prishtinë, Shkup dhe gjetiu... Nuk është kjo rastësi, apo mos vigjilencë e tyre, kur qëllimisht u jepnin dhe po u japin hapësirë zërave krrokatës, që si papagajtë thërrisnin dhe po thërrasin për qetësi në Kosovë nga “analistë” dhe politikanë servilë tek të huajt nga Tirana; në kohën kur aq tragjikisht e pësonte në fillim vitet 90-ta, dhe po e pëson edhe sot Kosova me viset tjera shqiptare. Valët e errëta madje kanë kaluar kufijtë, deri në Paris. Kujtoj këtu rastin: kur del një shkrimtar si Ismail Kadareja dhe e kërkon hapur rehabilitimin, gjegjësisht faljen në maskën e pajtimit të shqiptarëve të Kosovës me vise të tjera- pra, të falen krimet dhe turpet e titistëve të vjetër dhe të rinj! Por, kjo aspak nuk më habitë, kur dihet se ai siç e theksoi: ishte mik i vjetër me ish-udbashin, Fahredin Gunga dhe me soj sorrollopët e tij... Kurse tepër i zëshëm tregohet ky shkrimtar “kozmopolit” që të hapen dosjet për “krimet e komunizmit” në Shqipërinë e andej Drinit. Logjikë më e pakuptimtë se kjo nuk ka: të kërkosh mbylljen e dosjeve të udbashëve që e lanë në gjak popullin liridashës shqiptar dhe njëkohësisht të kërkosh hapjen e “krimeve” nga regjimi “më diktatorial” në Evropë, siç thuhet marrëzisht për Shqipërinë e Enver Hoxhës. Mbase dhe për këtë nuk kanë edhe aq shumë “faje”, sepse dikur vërtetë ishin nga më të privilegjuarit nga regjimi “kriminal” i Enverit, kurse tani janë më të “persekutuarit”, brenda e jashtë Shqipërisë.

     O zot! Sa shumë disidentë paska pasur Shqipëria! Ha, ha, ha!

     O zot! Sa shumë atdhetarë paskan qenë titistët dhe pacifistët rugovistë, pasardhësit besnikë të tyre. Sa “keq” që se paskemi ditur, o i dashur populli im!

     Tani, të erdhi koha t´i njohësh veprat e tyre dhe t´i shijosh frytet e tyre të kalbura të falura nga “engjëjt” e “parajsave” ballkanike dhe evropiane.

     Krejt për fund po e përkujtoj edhe këtë fatkeqësi tepër tragjike të mendësisë që po na përcjellë ne shqiptarëve; pikërisht më 9 prill 1999 në Kosharen legjendare nga UÇK-ja heroike u thye kufiri shqiptaro-shqiptar, me gjakun e bijve bijave më të mirë të kombit, ndërsa ende nuk po thyhet ky kufi administrativ nga politika qorre dhe horre e liderëve titistë me pasardhësit e tyre. Prandaj, derisa të krrokasin sorrat pro-sllave, shqiponjat duhet të vigjilojnë!

Re të zeza po sillen mbi atdheun e shqiponjave!

Vigjilencë! Vigjilencë! Vigjilencë, o populli im shqiptar!

 

PIKËPAMJE TË CILAT  “KOHA“ ENDE NUK I KA DEMANTUAR !!!

Shkruan:Rexhep AHMETI

Më 05.04.2007

     Fatkeqësisht, opinioni publik në Kosovë ende nuk është i fortë. Këtë e vërteton edhe fakti se pati pak reagime, kundërshtime...edhe kundër një emisioni dokumentar kushtuar ngjarjeve të vitit 1981, që u dha vitin e kaluar në RTK dhe që u përsërit edhe më  2007.

Shkrimi: “Viti ‘81 dhe vazhdimësia e mohimit “ i autorit Bedri Halimi  është një shembull i shkëlqyer se si duhet reaguar e kundërshtuar mendësinë e huaj antikosovare dhe antishqiptare që na servilet edhe sot nëpër media nga bartës shqiptarë të dikurshëm të saj të cilët mundohen ta ruajnë  e shpëtojnë edhe sot nga dhëmbi i kohës.

 

Akademiku serb Mihajlo Markoviq

     Duke pas përjetuar edhe vetë, më 1995, gjendjen kur t’i reagon me të drejtë e fuqishëm kundër një ideologjie helmuese të ndonjë Mihajlo Markoviqit (apo ndonjë nxënësi të tij, tani), dhe kur nuk të bashkëngjitet askush, qesh i motivuar që t’i bashkangjitem  protestës intelektuale kundër servirjes së ideologjisë udbeske në mediat tona dhe të dal në anën  e pikëpamjes së drejtë të z. Bedri Halimi lidhur me ngjarjet e vitit 1981. Shfrytëzojë rastin ta jap  mendimin tim lidhur  me klanet e mbetura të ish- regjimit të vjetër të cilat jo vetëm që nuk i lëshojnë vendet kuçe në media por bëjnë përpjekje sizifiane që ta mbrojnë edhe ideologjinë antiKosovë të ish-shtetit pushtues serbomadh. Këta, këtë veprimtari “demokratike” nuk e bëjnë pa qëllime djallëzore dhe pa llogari praktike përfituese për shtresën dhe ish-mekanizmin e tyre. Nëse opinioni publik forcohet dhe rritet presioni ndaj heqjes së  të keqes së vjetër nga trupi i ri i shtetit të Kosovës, (i cili është në formim e sipër) atëherë këta pinjoj të së vjetrës nuk do ta kenë të gjatë qëndrimin e tyre në vendet kuçe ku “prodhohet”, krijohet a ruhet opinioni publik. Tani mediat tona më shumë po e ruajnë opinioni e vjetër me mekanizma të vjetër (ruajtës) të ish-sistemit. Më ka ardhur, fortë mirë kur lexova  në artikullin e lartpërmendur se demaskoheshin me emra prodhuesit dhe ruajtësit e ideologjisë së kundër ngjarjeve të vitit 1981. Po ashtu, ky vështrim i z. Bedri Halimi qiti në dritë se z. Baton Haxhiu qenka nxënës i denjë dhe ruajtësi më tipik i ideologjisë së z. Mihajllo Markoviq, kundër të cilës ideologji pata reaguar edhe unë me reagimin “Tjetërsimi i Filozofit”, botuar më 12 prill 1995, në nr. 56 të javores  “KOHA”, f. 47, dhe në të cilin reagim lidhur më rëndësinë historike të vitit 1881 pata shkruar: ”  Po  M i h a j l l o   M a r k o v i q i   j e p   gjykime edhe për historinë më të re shqiptare: “Brengoset” pse nuk është bashkuar Kosova  me Shqipërinë në vitin 1950 (!) në federatën ballkanike (!) (sigurisht ka menduar për Shqipërinë si Republikë të shtatë  të ish-Jugosllavisë) në mënyrë që sot do të ishte ndarë populli shqiptar dhe do të kishte jetuar në shtetin unik n a c i o n a l  sh q i p t a r. Sh t e t i  shqiptar i krijuar  me mund e sakrifica të mëdha dhe gjysma e kombit shqiptar paskan gabuar që nuk paskan hyrë  nën sovranitetin e huaj (!) e t’i kalonin edhe ata nja 50 vjet robëri në “parajsën e ish-Jugosllavisë”, ku u gjakosën vazhdimisht vëllezërit e tyre kosovarë.

 

 

Protagonistët e intervistës: Baton Haxhiu (intervistuesi) dhe Mihajlo Markoviq(i intervistuari) e botuar në  revistën “KOHA “ nr.54/95 mars 1995, faqe 13,14,15,16 .

 

     As e 1981-ta nuk i pëlqeu kurrë politikës zyrtare serbe (as që është pritur t’i  pëlqej), pra as zëdhënësit të saj, akademikut M. Markoviq: ”Udhëheqësit shqiptar të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik”, thotë dijetari (për të keq). Sikur të mos ishte viti 1981 M. Markoviqi do ta kishte ndier veten më mirë, por ne do të ndiheshim shumë më keq. Të mendojmë dhe të imagjinojmë se si do të ishim dhe si do të ndiheshim, vërtet, pa të 1981-shin.... Shumë të varfër. Tepër keq. Kushedi sa keq! Tepër shumë më të ligështuar do të ishim pa 1981-shin.“Këtë kështu e pata menduar dhe shkruar më 1995. Por atëherë nuk e paskam ditur një gjë: se i intervistuari (intervista e të cilit u botua në revistën “KOHA “ nr.54/95 mars 1995, 13,14,15,16), kundër intervistës të  të cilit reagova në nr. 56 të po kësaj reviste, paska qenë prodhuesi i ideologjisë (mësuesi, mentori) së kritikuar nga unë, ndërsa intervistuesi paska qenë, imituesi i ideologjisë, ruajtësi i saj apo nxënësi i dikurshëm ose studenti që edhe sot udhëhiqet nga mësimet e “pavjetruara” të akademikut të tij të adhuruar dhe të paharrueshëm, pikëpamjet e të cilit “koha ende nuk i ka demantuar".

&

 

Tjetërsimi i Filozofit

(Ky reagim është botuar më 12 prill 1995, në nr. 56 të javores  KOHA, f. 47 )

(Reagim ndaj intervistës së akademik Mihajllo Markoviqit, botuar në KOHA,

nr. 54/95, f. 13,14,15,16)

     “Shkencën” dhe përgjithësisht  t e o r i n ë  sh t e t i  i m p e r i a l bashkëkohor i përdorë, jo për përparim e drejtësi shoqërore, por për manipulim, makiavelizëm e të mbajtje të ideve e rregullave të rremë të cilat i ka shtylla të robërimit të kombeve, pakicave kombëtare, minoriteteve, pra edhe të shtetasve të vet të njëjtit komb. Kështu po bënë, pa dyshim, edhe Serbia si shtet okupues dhe kolonial që është. Shtrohet pyetja: a mund të jetë shkencëtar, teorik a filozof  i  vërtet a humanist  ai që i shërben me  program dhe  një shteti të tillë? Përgjegja del vetvetiu e qartë: Jo. Një i tillë nuk mund të jetë shkencëtar, filozof humanist i vërtetë, teorik i drejtë etj. Por çudia ndodhë në intervistën që përmendëm, ku akademiku  Mihajllo Markoviq, me nxitim pranon epitetin “filozof humanist”, të cilin intervistuesi ia vë përpara në tryezë, me shkathtësi: dhe akademiku e përlanë “aureolën” e me megalomani thotë: “Si filozof humanist konsideroj...” Të shohim disa nga konsiderimet, tezat e këtij “filozofi humanist”: “ Dallimin ndërmjet kombit dhe pakicave kombëtare nuk e kam shpikur unë, por ato janë rregullat të miratuara përgjithësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare....Në këtë kuptim shqiptarët e Kosovës janë pakicë kombëtare në kuadër të Serbisë, ndërsa shtet i tyre amë është Shqipëria.” (Nënvizimi është yni). Ja teoria p o l i t i k e, ja  i d e o l o g j i a  e  c i l a  kombin shqiptar që jeton në trojet e veta në ish- Jugosllavi e redukton, jo as në kombësi por në pakicë kombëtare! Qëllimi praktik i kësaj ideologjie politike është krejt i tejdukshëm: mohimi nga socialisti serb i të drejtës për vetëvendosje të kombeve e të kombësive, konkretisht mohimi i kësaj të drejte (të pamohueshme) kombit shqiptar dhe  l ë n i a  e sh q i p t a r ë v e  dhe e atdheut të tyre, edhe këtë herë, në pronësi të Serbisë, pra, në “kuadër të Serbisë”. Këtë rrjetë të vjetër merimange apo thënë edhe më qartë, këta vargonj teoriko-praktikë të kolonializmit të cilët i hodhëm nga dera më 2 korrik 1990, kur veten e shpallëm ashtu siç jemi KOMB, e Kosovën Republikë, këta vargonj përsëri “filozofi humanist” përpiqet të na i fut nga dritarja! Dhe konsideron: Çështja e pakicave nacionale është çështje e brendshme e shteteve në të cilat ato jetojnë”! Sh p e s h   p ë r s ë r i t  ky akademik, në këtë intervistë, se këto janë rregulla të miratuara përgjithësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare”, “ rregullat  e së drejtës ndërkombëtare”! Praktika ndërkombëtare e çlirimit të kombeve sot i ka tejkaluar dhe thyer këto “rregulla të miratuara në marrëdhëniet ndërkombëtare”. “A nuk e tregon këtë shembulli i pavarësimit të shumë kombeve: sllovenëve, kroatëve, maqedonëve, estonezëve, lituanezëvë, ukrahinasëve, gruzianëve, jermenëve sllovakëve, etj. dhe shembulli i bashkimit të Gjermanisë”.  Këto fakte, në favor të çlirimit të popujve, akademiku mundohet t’i kthejë në argumente të mbajtjes në robëri dhe  në ndarësi të kombit shqiptar. “Rregullat ndërkombëtare” po u dashkan të vlejnë (gati) vetëm për shqiptarët! Çfarë karakteristikash kombëtare paskan më shumë  p sh. sllovenët e maqedonasit më shumë se shqiptarët,  që ata paskan të drejtë për shkëputje ndërsa ne jo? Kush po u dashka të na i caktojë ne rregullat dhe sasinë e të drejtave, pa vullnetin tonë?! Indirekt, nga intervista del se çështja shqiptare nuk qenka çështje kardinale e kombit të ndarë shqiptarë por na qenka “çështje brendshme e  Serbisë  dhe e botës” !!!   Teoria e “re akademike” e kohërave moderne (!) të cilën “filozofi humanist” e lanson in obscuro (në terr, tinëz).  P a s t a j   “s o c i a l i s t i ”  serb, ”Dimitrije Tucoviqi i ri “ vijon të na mbaj leksion se “çka do të thotë demokraci, në botën e zhvilluar bashkëkohore (psh. në SHBA, Francë, Angli, Itali” dhe demokracinë e sheh si sanksionim juridik ”të drejtave individuale të qytetarëve” e në pranimin e pak të drejtave të caktuara kolektive të pakicave (siç janë ato kulturore e politike, por të caktuara). Të drejtën për shkëputje, secesionin, akademiku  socialist e ka shumë mërzi. ”Lufta për shkëputje, thotë akademiku, në mënyrë të pashmangshme tërheq pas vetes aplikimin e dhunshëm të shtetit juridik”. Me  këtë ideologji “arsyeton” dhunën e shtetit juridik të tij  mbi shqiptarët  në Kosovë, para e pas dy korrikut dhe 7 shtatorit. Dhe ja si mendon ai ta shpie  ”përpara” dhe ta “shpërblejë”  të d r e j t ë n   e vetëvendosjes dhe të shkëputjes së kombeve. Thotë, konsideron: “Duhet rikujtuar se SHBA-të penguan secesionin e Jugut dhe se çmimi i mbrojtjes së integritetit të shtetit ishte 600 mijë jetë të humbura “. Dhe, ndoshta, këtu, pikërisht këtu, qëndron “humanizmi” i këtij filozofi dhe akademiku notor. Për drejtësinë e tij, të mos flasim. Ajo po shihet, e mund edhe të paramendohet... Po M i h a j ll o  M a r k o v i q i   j e p   gjykime edhe për historinë më të re shqiptare: “Brengoset” pse nuk është bashkuar Kosova  me Shqipërinë në vitin 1950 (!) në federatën ballkanike (!) (sigurisht ka menduar për Shqipërinë si Republikë të shtatë  të ish-Jugosllavisë) në mënyrë që sot do të ishte ndarë populli shqiptar dhe do të kishte jetuar në shtetin unik n a c i o n a l  sh q i p t a r. Sh t e t i  shqiptar i krijuar  me mund e sakrifica të mëdha dhe gjysma e kombit shqiptar paskan gabuar që nuk paskan hyrë  nën sovranitetin e huaj (!) e t’i kalonin edhe ata nja 50 vjet robëri në “parajsën e ish-Jugosllavisë”, ku u gjakosën vazhdimisht vëllezërit e tyre kosovarë. As e 1981-ta nuk i pëlqeu kurrë politikës  zyrtare serbe (as që është pritur t’i  pëlqej), pra as zëdhënësit të saj, akademikut M. Markoviq: ”Udhëheqësit shqiptar të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik”, thotë dijetari (për të keq). Sikur të mos ishte viti 1981 M. Markoviqi do ta kishte ndier veten më mirë, por ne do të ndiheshim shumë më keq. Të mendojmë dhe të imagjinojmë se si do të ishim dhe si do të ndiheshim, vërtet, pa të 1981-shin.... Shumë të varfër. Tepër keq. Kushedi sa keq! Tepër shumë më të ligështuar do të ishim pa   1981-shin. Një gjë duket se e ka thënë me sinqeritet akademiku serb: ” se për serbët është me rëndësi që Kosova të mbetet në përbërje të  shtetit  serb, dhe se aspak nuk është e rëndësishme, nëse Kosova do të gjendej jashtë Serbisë, a do të jetë ajo shtet i pavarur, apo do t’i bashkohej Shqipërisë”. Këtu “filozofi humanist” ka folur si ka menduar, si ka ndier; ka folur si ka pasur kajte. Por edhe në këtë mendim del në shesh tjetërsimi ideor e shpirtëror i teorikut, pasi që kurrë në histori as një komb pushtues nuk mundi të jetë i lirë gjer sa ishte pushtues. A s  a k a d e m i k u   e  f i l o z o f i  (M. M) nuk mund të jetë i lirë e human përderisa i shërben kolonializmit, robërimit të kombit tjetër, e së bashku me te edhe robërimit  të kombit të vet. I padrejti e ka më vështirë, më zor se i drejti. Zor se teoriku M. Markoviq do të mendojë e shkruajë si XHORXH ORVELLI, i cili po ashtu ishte në shërbim të shtetit –komb pushtues në Burmën e Poshtme, por më 1936 shkroi:“E gjithë kjo më hutonte dhe më shqetësonte. Sepse, në atë kohë mua më ishte mbushur mendja se imperializmi ishte i lig dhe sa më shpejtë aq më mirë ta braktisja punën dhe të ikja prej tij. Teorikisht, fshehurazi kuptohet, isha tërësisht në anën ë birmanezëve e kundër shtypësve të tyre, britanikëve. Sa për punën që e bëjë e urreja aq shumë sa që vështirë mund ta përshkruaj. Në një punë të tillë njeriu i sheh punët e ndyra të perandorisë për së afërmi.”(Citati është marr nga eseu i Xhorxh Orvellit: Vrasja e elefantit, botuar në “Bujk” më 30 mars 1995,f. 9)     

 

DEMONSTRATAT E  VITIT  ‘81 DHE VAZHDIMËSIA E MOHIMIT TË TYRE!

 

Shkruan: Bedri HALIMI

Prishtinë, 03.04.2007

     Ngjarjet e vitit 1981, përpos që ishin vazhdimësi e rezistencës shqiptare, ato paraqitën në mënyrë më të artikuluar kërkesat e shqiptarëve për liri e barazi, duke e vënë në pah si para opinionit vendor ashtu edhe para atij ndërkombëtar, pabarazinë e shqiptarëve në Kosovë. Që nga koha kur ndodhën ngjarjet, ato u mohuan, u mistifikuan e u dënuan në të gjitha format e mundshme. Vazhdimësia e logjikës së mohimit të këtyre ngjarjeve vazhdoi madje edhe pas rënies së monizmit më të fortë në Ballkan – titizmit. Këtë radhë, do t’i paraqesim disa nga akterët e mohimit të këtyre ngjarjeve, logjikën e mohimit dhe mënyrën e veprimit.

     Dokumentar i dështuar për ngjarjet e vitit 1981

     Në një emision dokumentar kushtuar ngjarjeve të vitit 1981, që u dha vitin e kaluar në RTK, (e që u ritransmetua më 1 prill 2007) ishte në fakt një emision kundër atyre ngjarjeve. Më saktë, ishte vazhdimësi e qëndrimeve të njëjta që nga viti 1981 nga shumica e pjesëmarrësve të emisionit. Në këtë emision, me asgjë, nuk u paraqitën shkaqet që sollën deri te shpërthimi i pakënaqësisë. Asnjëri nga të intervistuarit nuk e përmendi gjendjen ekonomike të popullatës. Asnjëri nuk e potencoi shkallën e papunësisë në Kosovë atëbotë. Asnjëri nuk i tha as afërsisht, shkaqet e as shifrën e njerëzve nga Kosova që e kishin marrë rrugën e hidhur të kurbetit, që në sistemin socialist jugosllav quheshin si “të punësuar të përkohshëm në botën e jashtme”.

      Nga akterët e atyre ngjarjeve në këtë emision ishin prezentë vetëm Hydajet Hyseni dhe Gani Koci. Por nga ajo që u paraqit, dhe si u paraqit, si dhe nga fakti se kush ishin “analistët” e palës tjetër, nuk është vështirë të konkludohet, se mendimet e Hydajet Hysenit dhe Gani Kocit janë shkëputur në konotacionin e qëllimit të skenaristëve të emisionit. Tashmë dihet se si nga pushteti jugosllav, po ashtu edhe nga klika titiste e atëhershme në Kosovë, ngjarjet e vitit 1981 cilësoheshin si “nacionaliste, irredentiste, kundërrevolucionare, për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, të sistemit socialist vetëqeverisës jugosllav, për prishjen e bashkim - vëllazërimit e minimit të pushtetit politik të klasës punëtore”.

     Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981?

     Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta, edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ‘81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çështjen e republikës! Dhe sot, ndonjë shok i Zdravko Çoliqit të djeshëm, jep fetva për ngjarjet e vitit 1981; ndonjë tjetër, që më mirë është ndier në Beograd se në Kosovë atëbotë, gjithashtu bën “analizë profesionale”; ndonjë tjetër, që babanë e ka pasur levë të lokomotivës antishqiptare, jep “vlerësime meritore” duke u thirrur madje në dëshmi të babait të tij. Edhe Baton Haxhiu, si autor i këtij dokumentari (së bashku me Andi Bushatin) edhe në këtë emision, tregon vazhdimësinë e një qëndrimi, kur janë në pyetje ngjarjet e vitit 1981. Qëllimi i këtij emisioni, (me apo pa porosi) ishte jo për të hedhur dritë, por për të krijuar mjegull, në radhë të parë në karakterin e këtyre ngjarjeve, pastaj në nevojën e tyre, si dhe në atë se, ato i organizuan vetë shqiptarët apo i organizoi dikush tjetër, pra (armiqtë e Kosovës), duke aluduar kështu në ndonjë shërbim të huaj. Pas këtij emisioni të çuditshëm, madje edhe të befasishëm, për faktin se një mendësi e tillë ende është e pranishme për këto ngjarje, duke i përcjellë ngjarjet në kontinuitet, u dashtë që t’i shfletoj vetëm disa gazeta të viteve ‘90-ta, për t’i sjellë qëndrimet e njëjta, të njerëzve të njëjtë, për Pranverën 81.

     Ngjashmëritë e rastit apo të qëllimshme?

     Kështu Baton Haxhiu, në një shkrim të tij, para ca vitesh, në mbititullin “Pikëpamje” dhe me titull “81-shi as revolucion as kundërrevolucion”, shtron pikërisht dilemën se “kush në të vërtetë i organizoi demonstratat dhe a ishin ato të hershme për Kosovën dhe rrjedhën e atëhershme të ngjarjeve politike. I organizuam vetë apo dikush tjetër?”. Madje, sipas tij, “ato vetëm e shpejtuan procesin e insistimit serb se ‘Kosova është dashur të jetë në Serbi’”. Për të konkluduar madje se “pasojat janë kontinuiteti represiv, burgosjet masive dhe heqja e autonomisë së Kosovës…”. Bujku, e martë, 12 mars 1996.

      Ndërkaq, një vit më parë, i njëjti autor, Baton Haxhiu pra, kishte bërë një intervistë me Mihajlo Markoviqin - ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA” nr 54/95, 29 mars 1995 fq.13. Në këtë intervistë, Mihajlo Markoviq, pos tjerash, thotë: “Udhëheqësit shqiptarë, të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981, bënë gabim të madh historik… Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”. Pra, të njëjtat qëndrime, të Mihajlo Markoviqit, i jep një vit më vonë Baton Haxhiu, por në një gazetë tjetër (në Bujk) tani si ‘Pikëpamje’ të vetat.

      Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës?

     Kurse, sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj apo të jetë përfshirë në to, Mustafë Sefedini, ish-ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje. Revista “KOHA” nr.99, 13 mars 1996 fq.9. Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demonstratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënies së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demonstratat e vitit ‘81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhën, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, fq. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihajlo Markoviq, madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”? Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit, i cili në Kosovë, ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë nuk arriti të japë as arsyetimin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit). Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i bluajnë, i mbllaçitin e ripërtypin disa analistë të sotëm, rrjedhimisht shtrohet pyetja: Kush ka pasur informacione më shumë atëbotë, ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist apo edhe historian sklerotik ka informacione tjera, atëherë lind pyetja, nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur beneficionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla.Prandaj, në fund, logjikës së tillë do t’ua rikujtonim se vërtet vezët e qyqeve i lëshon ndonjë shpend tjetër, por assesi nuk i lëshon shqiponja.

 

DITËLINDJA DHE PËRKUJTIMI I DEMONSTRATAVE TË PRANVERËS `81

Shkruan: Beqir ELSHANI

Suedi, 26.03.2007

     Sot është 26 Mars,Përvjetori i Ditëlindjes më të madhe të Demonstratave të Kosovës. Përvjetor i Ditëlindjes më të madhe, sepse pas Demonstratave të vitit 1981, u rrënua Muri i Berlinit, i cili bashkoi një popull gjerman; u rrënua perandoria e kuqe në Rusi dhe perandoria blu në Jugosllavi, ashtu siç u rrënua një shekull më parë edhe perandoria osmane. Demonstratat e Kosovës shkatërruan imazhin e shtrigës pansllaviste në Evropë.  Në prag të mijëvjeçarit të tretë, Lëvizja e Studentëve të Kosovës e zgjoi Evropën hutaqe nga letargjia e gjumit propagandistik të Beogradit, me degën e ullirit mu në grykën e tankut të blinduar ushtarak. Derisa nën qiellin kaltërosh të Beogradit fluturojnë pëllumbat e ashtuquajtur të paqes, në fushat e tyre dhe në thellësinë e Danubit ende gjinden trupat e pajetë të shqiptarëve të masakruar. Kriminelët serbë të luftës tani merren me rritjen e pëllumbave në Serbi. Kjo zejtari e tyre hipokrite është ndër më të çuditshmit në historinë e njerëzimit: të rritësh pëllumba, por edhe të vrasësh fëmijë shqiptarë. Më në fund, o fëmijë të dashur që edhe juve u ra në hise të përjetoni luftën nga ushtria vrastare serbe, Jugosllavia vdiq, kurse populli boshnjak që gjithashtu i përjetoi tmerret e luftës nga ushtria jugosllave, thotë se Jugosllavia ngordhi. Po në këtë ditë jubilar, mbesa ime, Driana, kremton ditëlindjen e saj. Ajo i mbush nëntë vjet, që janë vite simbolike të qëndresës shqiptare. Nëntë vjet kreshniku dhe simboli i forcës kombëtare, Gjergj Elez Alia, i bëri ballë nëntë plagëve të luftës, derisa më në fund përfaqësuesin e dhunës - bajlozin përbindësh, e zhduku nga faqja e dheut. Nëntë vjet motra stoike ia lante plagët e Gjergjit me ujët e gurrës dhe me lotët e syve Dikur moti, pushtuesit e huaj ndërroheshin ashtu siç ndërrohen stinët e vitit. Nëntë vjet Aga Imeri qëndroi i burgosur në kështjellën bizantine dhe ishte optimist se nusja ende e priste në shtëpi. Pas nëntë vjetësh mbyllur në kështjellën me mure të larta, Aga Imeri kishte parë një ëndërr të keqe, se shtëpia ishte rrëzuar, babai kishte vdekur dhe nëna ishte verbuar, kurse e dashura e tij ishte martuar. Aga Imeri ishte i tronditur për fatin e familjes dhe të dashurës së tij që e kishte pritur nëntë vjet, e bija e krajlit mëshirohet para karakterit heroik të Aga Imerit dhe e liron me besë se do të kthehet prapë. Kjo legjendë madhështore e kohës bizantine të bën të çuditesh, si nuk qe e mundur që tek populli serb të dalë një grua bujare, që të mbrojë fëmijët dhe nënat shqiptare nga masakruesit e pashpirt serbë. Këto tmerret e luftës, mbesa ime i ka përjetuar gjatë luftës, kur serbët i shkrumbuan shtëpitë me çdo bimë në tokë, dhe vranë shumë njerëz të pafajshëm. Të gjithë e dinë që në botë nuk ekzistojnë fëmijë fajtorë, prandaj serbët nuk bënin dallime, dhe vranë shumë fëmijë shqiptarë. Unicefi Ndërkombëtar në çdo skaj të botës i mbron fëmijët që janë ardhmëria jonë; që janë bukuria dhe dielli i jetës sonë.

  Një ushtri që vret fëmijë, më mirë është që kurrë të mos ec në tokë, do të thotë që këta katilë as në botën bimore dhe shtazore nuk e meritojnë të lëvizin. Prandaj Driana, mos harro t´i tregosh gjyshit se Jugosllavia cofi. Kështu tregoji gjyshit, meqë gjyshi e kupton më mirë. E marr me mend se gjyshi, në fillim, do të qesh nga gëzimi i zhdukjes së përbindëshit me emrin Jugosllavi, por edhe do të qajë nga pikëllimi për tragjedinë e tmerrshme të popullit shqiptar që pësoi nga ushtria barbare serbe. Gjatë jetës së vetë gjyshi ka përcjellë pushtuesit italian, gjerman dhe bullgar, mirëpo ushtri brutale si pushtuesi serb Evropa nuk ka dhanë, dhe kurrë mos dhëntë. Për shkak të rrethanave pushtuese nga ushtria vrastare serbe, një kohë të gjatë pranverat shqiptare kanë qenë të zymta. Nuk kishte fare zogj: as në fshatra, as në male. Kënga e bilbilit ishte ngulfatur thellë në fyt, sepse ishin vrarë zemrat e fëmijëve më të dashur në botë. Në vend të cicërimës së zogjve, gjëmonin mortajat e serbëve që shkrumbonin tokën, kurse qielli përflakej me tymin e barotit. Po a çel trëndafili pa këngën dhe pa krahët e zogut? A hapen petlat e luleve, pa i mbëltuar bleta punëtore e fushave të bukura të Kosovës kreshnike? Shokët e klasës me një buqetë lulesh ia uruan ditëlindjen Drianës. Në bankën e klasës mungonte një shoqe e tyre, gjatë luftës e vranë militaristët serbë. Ajo u pushkatua në tregun e qytetit, kurse babai i saj ra dëshmor duke luftuar kundër bandës serbe. Në fillim mbretëroi heshtja në klasë, pastaj vunë një lule në bankën e nxënëses së vrarë. Drianës i rrodhën lotët e dhimbjes për shoqen e bankës, pastaj me lot në faqe doli nga klasa. Në oborr pa një kalë që po kulloste barin e njomë pranveror dhe të lagët nga shiu i mbrëmjes. Dalëngadalë iu afrua kalit dhe me dorën e butë ia përkëdheli kreshtat në qafë. Kali e dinte gjuhën e fitores dhe pranoi që vogëlushja t’i afrohej. Pas pak, ajo i hipi kalit dhe kalëroi për në varrezat e dëshmorëve të kombit. Me të arritur në vend, zbriti prej kalit dhe lulet e ditëlindjes, që ia dhuruan shokët e klasës i vuri pranë lapidarit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vështroi flamurin kuqezi që valonte mbi lapidar, shqiponja kishte zbritur nga bjeshkët e Sharrit dhe zuri vend në lapidarin e trimave shqiptar që ranë në altarin e lirisë. Pasi i nderoi dëshmorët e lirisë, u kthye dhe pa se nuk ishte vetëm, ishin shoqet dhe shokët e klasës me mësuesen e tyre. Nga mesi i nxënësve të klasës jehoi një këngë atdhetare partizane: Dalngadal´ po na vjen behari, Dalngadal´ po na vjen. Nëpër fusha rritet bari, Dalngadal´ po na vjen. Po na vjen, po na vjen, Bota zien, bota zien, Shokët tan´ kjo luft´ po na i rrëmben. Shpati i malit jehoi nga kënga partizane, ku një erë e lehtë pranverore po i luhaste degët e lisave dhe të gjithë zogjtë iu bashkëngjitën korit të fëmijëve. Pas përfundimit të këngës, jehoi zëri i njërit nga nxënësit e klasës: Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Pastaj të gjithë, njëzëri, brohoritën: Lavdi! Lavdi! Lavdi!

 

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – KTHESË VENDIMTARE E

KOSOVËS DREJT LIRISË (1)

 

Kryereferat i Prof.Dr.Muhamet Pirrakut lexuar në Simpoziumin: „Demonstratat e vitit 1981- kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë“, Instituti Albanologjik, Prishtinë, më 24, 25 dhe 26 nëntor 2001.

Prof.Dr.Muhamet Pirrakut

 

     Nga periudha e integrimit të kombit shqiptar si kategori shoqërore, sociologjike, civilizuese dhe historike, nga mesi i shekullit XVIII, shqiptarësisë së Dardanisë ilire, përkatësisht të Kosovës historike, ia zuri frymën kisha ortodokse dhe uria për ekspansion shtetëror serb e mbështetur në patronatin e Rusisë dhe të Evropës. Qartë, Kosova, si edhe të gjitha viset e tjera të njësisë etnokulturore të Shqipërisë, gjallëroi e qëndroi për gjatë një rrugëtimi mbi dy shekullor me thikën në qafë, fenomen ky i rezistencës shqiptare kundër robërisë. Realisht, përpjekjet për çlirimin kombëtar dhe për pavarësinë e njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë së Begollajve, të Bushatasve e të Tepelenasit, të Dah Pallashkës, Tafil Buzit e të Hamëz Kazazit,  të Ba­ba Bekë Vrajës e të Dërvish Carës, të Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të “Besa-Besës” së Pejës, të Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësinë e Shqipërisë e të Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës e të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare e të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, përfundimisht me fillimvitet ‘50-ta të shekullit XX, nuk u plotësuan për faktin se faktori i jashtëm, evropian i vendosjes, mbajti qëndrim qartë antishqiptar në përgjithësi, në dobi të kërkesave ekspansioniste serbe, malaziase, greke e bullgaro-maqedone për balancim të interesave gjeopolitike të pansllavizmit rus. Gjatë të pesëdhjetave të shekullit XX, në arealin e shtetit Shqipëri të përkufizuar ndërkombëtarisht në Londër, më 1913, vetëm në rreth një të tretën pjesë të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë, iu vunë themelet Lëvizjes Irredentiste Shqiptare Antijugosllave të kosovarëve të instaluar përkohësisht atje. Kjo lëvizje pati mbështetjen e fshehtë kurajuese të Shqipërisë zyrtare që shënoi fillin e korrigjimit të politikës së Republikës Popullore të Shqipërisë nga linja ideologjike kominterniste në atë kombëtare shqiptare të maskuar me koncepte marksiste-leniniste për kategorinë socio-kulturore historike të kombit dhe të drejtën në vetëvendosje të popujve. Edhe më qartë: Ishte ky shënimi i fillit i hakmarrjes së madhe të Enver Hoxhës kundër Josip Broz Titos për zhagitjen dhe mohimin me dinakëri dhe me tradhti që ky i bëri ndaj të drejtës së Kosovës në vetëvedosje për statusin shoqëror, politik dhe shtetëror të fituar me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si aleate me Jugosllavinë dhe me Shqipërinë në kuadër të Bllokut antifashist sovjeto-anglo-amerikan. Realisht, veprimtarët e Lëvizjes Irredentiste Shqiptare të fillimviteve të ‘50-ta, si Qerim Ukë Ozdrimi, Hysen Thaçi, Skënder Kosova, Aziz Zhilivoda, Ajet Haxhiu, Bajram Rexha, Shaban Braha, Dervish Shaqa, Salih Shatri e të tjerë, me sukses e shtrinë Lëvizjen në Dukagjin, në Drenicë, në Anamoravë dhe gjetkë në arealet shqiptare që gjendeshin nën Jugosllavinë dhe me këtë lëvizje, të themi kushtimisht, lidhën penjtë midis Shqipërisë “enveriste” dhe Tokave shqiptare nën okupimin jugosllav, të cilat i kishte shkëputur dhe i kishte copëtuar përgjakshëm fitorja e Luftës Antifashiste kominterniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi, në nëntor të vitit 1944. Në fund të viteve 50-ta, më 1957, zuri themel organizimi politik ilegal shqiptar i Kosovës pikërisht me formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve” në krye me profesor Kadri Halimin, ndërkaq në vitin 1959, në Pejë, u themelua “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, në krye me rrobaqepësin Remzi Baloku. Në shtator të vitit 1963, shkrimtari Adem Demaçi, ish-i burgosur politik, ia vuri themelet Organizatës “Komiteti Revolucionar”, të riemëruar në fillim të vitit 1964 me emrin: “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Në nenin Një të Statutit, të hartuar në mars të vitit 1964, midis të tjerash, saktësohej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet - Shqipninë”.

 

  

Kadri Halimi dhe Adem Demaçi në rini

 

     Programi i “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” u mbështet mbi platformën e Lëvizjes Irredentiste të fillimvitit 1951. Kjo tërthorazi del edhe nga Takimi Qerim Uka – Enver Hoxha, më 2 janar 1960. Hoxha, i cili për kohën ishte shteti vet, Çështjen e Kosovës e quajti plagë të dhembshme për çdo shqiptar, ”e cila do të shërohet vetëm kur kjo çështje të zgjidhet drejt, në bazë të aspiratave të kosovarëve”. Shqipëria zyrtare këso kohe nuk mund ta përkrahte hapur një kërkesë kosovare kaq radikale, aq më parë kur dihej se “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” synonte bashkimin e shqiptarëve pa dallime ideologjike. Mesi i vitit 1966, pikërisht me demaskimin jugosllav zyrtar të Rankoviqit, shënoi fillin e gjysmëlegalizimit të kërkesës shqiptare për të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Jugosllavisë, mbështetur në të drejtën për vetëvendosje të fituar me Luftën Antifashiste Nacional­çlirimtare. Kjo do të arrihej me ngritjen e statusit autonomi në statusin republikë të Kosovës. Megjithatë, Tirana zyrtare ende nuk ndihej e sigurt për të mbështetur hapur këtë kërkesë, pikërisht nga frika se mund të bashkohej “reaksioni” shqiptar antikomunist i trupëzuar në kujtesën “balliste” me linjën jugosllave komuniste të trupëzuar në “titizëm” kundër “rrugës revolucionare” shqiptare të linjës marksiste-leniniste të trupëzuar në “enverizëm”, përkatësisht kundër sigurisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Pozita e Shqipërisë në konstelacionin ballkanik, evropian e botëror ishte e keqe, ndaj Tirana zyrtare do të përkrah me dorëza edhe kërkesat legale të organeve politike e qeveritare të Krahinës Autonome të Kosovës për statusin republikë në kuadër të Jugosllavisë. Mbështetja e vakët e kërkesës legale “Kosova republikë”, të legalizuar me Konsultën e fillimshtatorit 1968, në Prishtinë, ishte rezultat i faktit se Tirana zyrtare nuk kishte besim me mbulesë në qëndrueshmërinë në ato kërkesa të forcave politike “titiste” të Kosovës. Kjo del edhe nga direktiva e më hershme e Enver Hoxhës, të 19 shtatorit 1966: “Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”, por “fitorja e popullit të Kosovës deri në vetëvendosje duhet të vijë dhe të organizohet, në një rrugë  të gjatë, plot vuajtje, mundime dhe sakrifica nga vetë populli dhe jo nga këta krerë të shitur shqiptarë. Populli i Kosovës mund të udhëhiqet drejt në këtë rrugë e të fitojë të drejtat e tij të plota, vetëm nga revolucionarë të vërtetë shqiptarë kosovarë. Kjo është konditë absolutisht e domosdoshme për sukses”. Këto kërkesa do të shërbejnë për bazë të platformës të programeve të të gjitha grupeve dhe organizatave ilegale dhe gjysmëlegale që përgatitën Nëntorin e përflakur 1968, të ngritjes arsimore, kulturore dhe të homogjenizimit ideologjik kombëtar madhështor të viteve ‘70-ta, dhe të dy organizatave ilegale të fundviteve të ‘70-ta dhe të fillimviteve të ‘80-ta: Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve të Jugosllavisë dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës. Këto organizata depërtuan masivisht në radhët e intelektualëve, të rinisë studentore dhe të rinisë punëtore dhe do të bartin barrën e organizimit dhe të drejtimit të drejtpërdrejtë e të tërthortë të Demonstratave të vitit 1981,  të cilat bënë kthesën vendimtare të Kosovës drejt lirisë.

 

 

Abdullah Prapashtica, drejtues i Partisë Komuniste Marksiste

Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi.

 

     Koncepti i referatit nuk më lejon të ndjekë faktet dhe ngjarjet një për një të Pranverës Shqiptare ’81. Kjo është detyrë e kumtesave të veçanta për fakte e ngjarje të veçanta. Ndaj, mund të përmbledh: Këto organizata, Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve të Jugosllavisë dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës, gjithnjë të orientuara në mbështetjen e Shqipërisë zyrtare, qysh në dhjetor të vitit 1979, paralajmëruan edhe nevojën për organizimin e demonstratave gjithëpopullore shqiptare antijugosllave në mbështetje të kërkesës për vetëvendosje për statusin politik, administrativ, juridik e shtetëror të Kosovës. Demonstrata do të shpallej në një moment kur ideja për Republikën e Kosovës do të bëhej pronë e mendimit politik shqiptar gjithëpopullor, kur rrethanat e brendshme, jugosllave, dhe ato të jashtme, ndërkombëtare, të tregoheshin të favorshme në dobi të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së shqiptarëve nën robërinë jugosllave në veçanti.

Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni - drejtues të Organizatës OMLK

 

      Sipas Tiranës zyrtare, kthesa vendimtare në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës do të fillojë pas vdekjes së Titos, kur do të fillojë shthurja e Jugosllavisë. Dhe, duhet të theksohet se tashti koncepti gjeografik dhe etnik Kosovë dhe kosovarë i Tiranës zyrtare, realisht i Enver Hoxhës, mbulonte tokat shqiptare nën administrimin pushtues të Jugosllavisë. Këto koncepte u trupëzuan në programin e ilegales: Republika e Kosovës, që duhej realizuar “ja me hatër ja me luftë!” Kështu, me kohë, ideja për ngritjen në demonstratë gjithëpopullore shqiptare në mbështetje të kësaj kërkese u bë frymë shqiptare e akumuluar në pritje për realizim. Së këndejmi, shpërthimi i programuar i Revoltës së studentëve në mensën e Qendrës Studentore, më 11 mars 1981, do të shërbejë si detonator faktik për t’i dhënë flakë asaj energjie revolucionare nacionalçlirimtare të akumuluar në vijimësi, nga vitet e ‘60-ta dhe veçanërisht në vitet ‘70-ta, në ndërgjegjen patriotike dhe revolucionare të rinisë shkollore, studentore, punëtore, qytetare e fshatare dhe të masave shqiptare nën robërinë jugosllave. Këtë fenomen shoqëror shqiptar pushtuesi jugosllav do ta kuptojë qartë më 26 mars 1981, sapo studentët vërshuan rrugët e sheshet e Prishtinës, të përshëndetur e të përkrahur fuqimisht nga të gjitha strukturat e shoqërisë në mbarë arealin shqiptar. Sakaq, një grusht të papritur titizmi, vëllazërim-bashkimi dhe vetadministrimi jugosllav e mori nga përpjekja e studentëve për të penguar hyrjen e Stafetës së Titos në Prishtinë, dhe për rrëmbimin e saj nga bina, nga një grup intelektualësh, të bashkuar në grupin politik legalo-ilegal “Bajo e Çerçiz Topulli” qysh nga koha e studimeve, më 1964[2]. Dhuna e policisë speciale jugosllave mbi studentë e studente në rrugët e Prishtinës dhe në konvikte për ta fikur prushin liridashës shqiptar patriotik me dhunën shoviniste serbe pushtuese, solli në shpërthimin gjithëpopullor shqiptar të fillimprillit 1981, me të gjitha karakteristikat e një revolucioni kombëtar çlirimtar, i cili nga të burgosurit politikë në seancat e përgjakshme të hetuesisë, para Udbashëve, do të quhet “Pranvera Shqiptare ‘81”.

     Tashti kuadri politik e historik ndërkombëtar e kombëtar i “Pranverës Shqiptare ‘81” ishte mjaft premtues. Në shtetet soc-komuniste të Evropës Qendrore dolën në shesh kundërthëniet e shoqërisë së re, demokratike katolike që po lindej nga gjiri i shoqërisë komuniste kominterniste. Kërkesat e kësaj lëvizjeje i sublimonte Solidarnost e Polonisë e mbështetur në fuqinë antikomuniste të Papatit. Ajo nuk mund të kalonte pa ndikim në brezat liridashëse shqiptare, ndonëse vinte në një kohë kur në Kosovë ishte konsoliduar papushtueshëm aktiviteti ilegal i dy organizatave shqiptare marksiste-leniniste, të përmendura më sipër, faktikisht  kombëtare shqiptare të konceptit enverist. Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Të themi edhe më shkoqur: zjarri liridashës i rinisë shqiptare të viteve ‘70-ta dhe të fillimviteve ‘80-ta, ishte shqiptarizma që rrezatonte qenia politike e shoqërore e mëmës Shqipëri të idealizuar, pikërisht në rrethana kur paprekshmërinë e ngrehinës Jugosllavi të Titos ende e mbështeste Lindja dhe Perëndimi, bota e krishterë dhe bota islame, Papa dhe Turqia. Në anën tjetër, këso kohe, Enver Hoxha, i cili mishëronte trininë: Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, pushteti shqiptar dhe vendi  Shqipëri, zbatonte një politikë agresive kundër titizmit, kundër revizionizmit të teorisë marksiste-leniniste dhe kundër Jugosllavisë avnojiste, më 1979, i urdhëroi Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht personalisht Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ushtarakut Veli Llakaj,  të përgatiste planet strategjike dhe logjistike për ndërhyrje eventuale në mbrojtje “të vëllezërve shqiptarë në trojet e veta në Jugosllavi”. Kjo do të rezultonte me ndërkombëtarizimin e plotë të çështjes së Kosovës, në veçanti dhe të çështjes shqiptare të pazgjidhur, në përgjithësi - çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, të Shqipërisë as të madhe as të vogël, natyrore, të copëtuar me dhunë ndërkombëtare më 1913, më 1919 dhe më 1945. Të rikonstatojmë së bashku të vërtetën madhore: Faktet janë kokëforta dhe nuk mund të abortohen nga historia. Në vitet ‘70-ta dhe fillimvitet ‘80-ta, në kushte të pamundësisë faktike për të përfituar përkrahjen e akëcilës fuqi botërore kundër robërisë jugosllave, për gjeneratat shqiptare të moshuara Tirana përjetohej si Meka e shqiptarizmës, kurse të jesh revolucionar marksist-leninistë, të jesh enveristë, për shqiptarin e ri, do të thoshte: të jesh patriot i betuar, të jesh antititist, të jesh antijugosllav, të jesh antipansllav rus, do të thoshte të jesh shqiptar, të jesh biri i mëmës Shqipëri, të jesh stërnip i Skënderbeut, të jesh Oso Kukë, Mic Sokol, Hasan Prishtinë, Azem e Shotë Galicë, të jesh Adem Demaç, i gatshëm për sakrificë sublime për lirinë e Kosovës, për lirinë e tokave shqiptare, për ribashkimin e Shqipërisë Etnike mbi platformën politike dhe ideologjike të shqiptarizmës si fe gjithëshqiptare.

 

     Ky mendim politik shqiptar sublimonte kërkesat kombëtare të të gjitha kthesave gjatë historisë, dhe ishte platformë e programit politik e luftarak të demonstaratave gjithëpopullore shqiptare të 1, 2 e 3 prillit 1981. Së këndejmi, akëcili pjesëmarrës në këto demonstrata kryengritjeje, i gatshëm për t’ia falë jetën Lirisë së Kosovës, mund të rrëmbente Flamurin kombëtar në duart e veta, mund të dilte komandant dhe të printe me flamurin në dorë, armë të vetme për të çarë me gjoksin hapur barrikadat dhe kordonët e ushtrisë dhe të policisë speciale të Jugosllavisë. Shembujt markant janë konkret dhe shumë të njohur. Komandantë e flamurtarë të tillë, të vetëpërcaktuar për kurban të lirisë dhe të ardhmërisë shqiptare të Kosovës ishin edhe fatosat e kombit që ranë, që u plagosën dhe që u burgosën në themele të Epokës: “Pranvera Shqiptare ‘81”, e kurorëzuar me sakrificat e rinisë ademjashariane të Kosovës. Vërtet, historia ofron dëshmi se kjo tokë, në të gjitha kohët, ka lindur e ka rritur Burra të Dheut për t’u përbe mbi kokën e tyre si në perëndi. Dëshmorëve të Prillit ‘81 gjakun ua mori drenicasi Tahir Meha i Prekazit, ndera e kombit i vetëpërcaktuar për fatin e Oso Kukës së Shkodrës në Vraninë. Pikërisht në festën e policisë jugosllave, më 13 maj 1981, Tahiri, i ndjekur nga i ati, Nebih Lati i tregoi rinisë shqiptare se Lufta e armatosur, jo demonstrata me duarthatë, është rruga e Lirisë. Se barbari albanofob sllav, si dhe të gjithë okupatorët në çdo vend të botës, e kupton vetëm gjuhën e grykës së pushkës. Realisht, mbi gjakun e freskët të dëshmorëve të “Pranverës Shqiptare ‘81” (Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi - Prishtinë, Rizah Matoshi, Sherif Frangu - Ferizaj, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Salih Abazi - Vushtrri, Malush Abrashi, Nesim Dana - Gjakovë), Shqipëria zyrtare iu kthye plotësisht çështjes së Kosovës, përkatësisht iu kushtua mbështetjes së kërkesës së “shqiptarëve në trojet e veta në Jugosllavi” për lirinë e vetëvendosjes edhe si e drejtë legjitime e kombit shqiptar për bashkim. Në themele të Pranverës Shqiptare ’81 u ngritën organizatat dhe lëvizja ilegale për Republikën e Kosovës, gjithnjë në mbështetje të Mëmës Shqipëri për të bashkuar vendet shqiptare nën robërinë jugosllave, si hap më të sigurt drejt bashkimit të njësisë etnokulturore historike të Shqipërisë. Krejt në fund të Pranverës Shqiptare ’81, si rrjedhim i ndryshimeve të mëdha ideologjike në arealin etnik të Jugosllavisë, rezultoi ngritja e Rezistencës shqiptare legale paqësore institucionale jugosllave e njohur si LDK. Në fillim të viteve ‘90-a u ngrit Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare e Pajtimit Kombëtar përmes faljeve të hasmërive, nga 2 shkurti 1990 deri më 17 maj 1992. Këtë Lëvizje e menduan dhe e drejtuan studentë e intelektualë ish të burgosur për Pranverën Shqiptare ’81. Mbi tabanin e pajtimit të arritur, Lëvizja Popullore e Kosovës e ngriti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila me pushkë, me penë dhe me aktivitet politik-diplomatik për pesë vjet të luftës guerile, deri më 26 nëntor 1997, dhe për një vit, gjashtë muaj e pesëmbëdhjetë ditë të luftës ballore me ushtrinë e pushtuesit, deri më 12 qershor 1999, e solli Kosovën në cepin e lirisë për të kapur penjtë që çojnë në vetëvendosje të Kosovës dhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare aktualisht të mbajtur peng nga konstelacioni i papajtueshëm i Lindjes ortodokse me Perëndimin katolik.  Simpoziumi shkencor: Demonstratat e vitit 1981 - kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë, i cili sapo fillon nga puna, shpresojmë se do të kurorëzohet me rezultate të rëndësishme për shkencën. Distanca kohore prej  më se njëzet vjetësh ofron mundësi reale për qasje pa anësi, pa hezitim për ta thënë të vërtetën, aq më parë kur të kihet parasysh se me fitoren e Luftës së UÇK-së është rrumbullakësuar një epokë e historisë shqiptare. Duke përfunduar të më lejohet të konstatoj faktin se disa theksime të mia, më lartë, duhet të kuptohen si kërkesa të shkencës historiografike për të nxjerrë të vërtetën historike për ideologjinë mobilizuese, për karakterin dhe për përmasat e Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare Antijugosllave të fundviteve ‘70-ta dhe të viteve të ‘80-ta.

Studiues të nderuar ju dëshirojmë suksese të kënaqshme në ndriçimin e problemeve historiografike që shtrojnë titujt e kumtesave të Programit të Simpoziumit: “Demonstratat e vitit 1981 – Kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë”.

Ju faleminderit për vëmendje![3]

____________

[1] Kryereferat në Simpoziumin: Demonstratat e vitit 1981- kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, më 24, 25 dhe 26 nëntor 2001.

[2] Në këtë grup gravitonin: Ismail Dumoshi, Tahir Abdyli, Halil Alidemaj, Demë Fetaj, Fehmi Pushkolli, Hasan Salaj, Gani Bobi, Gjakush Qapari, Atdhe Gashi, Murat Blaku (Bojo) dhe Muhamet Pirraku (Çerçizi). Për rrëmbimin e stafetës u përpoqën: H. Alidemaj (i burgosur më 15 nëntor 1981), D. Fetaj dhe M. Pirraku (i burgosur më 4 gusht 1981). 

[3] Simpoziumi u organizua në mënyrën më shembullore dhe doli shumë i suksesshëm. Mirëpo, materialet e tij nuk u botuan për tri shkaqe: E para, personalitetet që konsideroheshin organizues të këtyre demonstratave dolën, ngapak, kundërthënës midis tyre dhe nuk i dorëzuan kumtesat për botim. E dyta, Këshilli Organizues fare nuk pati përkrahjen financiare të shtetit, kurse me përkrahjen e biznesmenëve kosovarë mëmzi do të mbulohen rreth 50% të shpenzimeve për mbajtjen e Simpoziumit. E treta, Këshilli Organizues nuk arriti të pajtonte mbi 4000 DM për abonimin e autorëve të kumtesave (nga Shqipëria, Ilirida dhe Mali i Zi) në “Grand Hotel” dhe në “Iliria”, kurse Instituti Albanologjik, Dega e Historisë e të cilit ishte bashkëorganizuese e Simpoziumit me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, borxhin e la barrë individuale të Kryetarit të Këshillit Organizativ, Prof. Dr. Muhamet Pirrakut. Ky, mëse njëherë do të kërcënohet edhe me gjyq për borxhin nga drejtoria e hoteleve në fjalë.

 

MARSI DHE PRILLI I VITIT 1981 PËRBËNIN RUBIKONIN E KOSOVËS

DHE PRELUDIN  E LËVIZJES SË RE KOMBËTARE, DERI NË EPOKËN

E LAVDISHME TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

 

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

Prishtinë, 11.03.2007

 

Ju nuk mund të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën

 

Hydajet Hyseni, flet me megafon para demonstruesve - prill 1981

     Në mbarim të çerekut të tretë të shekullit të kaluar, në Kosovë po ngjizej një opinion publik iluzor i dyfishtë për statusin e ardhshëm të saj. Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968, besonin që Kosova do të avancohej në republikë, mbasi kjo ishte kërkesa dhe parulla qendrore e tyre, kurse pala tjetër u besonte premtimeve zyrtare dhe jozyrtare të udhëheqësve shqiptarë, se ata do ta realizonin atë në tavolina të institucioneve. Kompromisi  tashmë i njohur ishte një zgjidhje gjysmake dhe  dualiste, e cila Kosovës i dha  një status të krahinës autonome, si element konstituiv i federatës, por në kuadër të Serbisë. Në plan kombëtar, popullit shqiptar, ndonëse i treti nga madhësia në federatë, nuk i njihej statusi i kombit a popullit, por i pakicës kombëtare që me eufemizëm quhej kombësi, në plan politik e juridik, Kosova nuk ishte as mish as peshk, kurse në plan ekonomik, vazhdoi shfrytëzimi shumëdimensional kolonial. Propaganda e pompuar e  plotë folklor e filistinëve politikë dhe “shkencorë” shqiptarë,  për ta bindur, apo më mirë, mashtruar popullin shqiptar, se Kosova paskësh fituar tashmë të gjitha të drejtat kombëtare, politike, shtetërore dhe historike, se ajo ishte bërë de fakto republikë, etj, nuk pati jetë të gjatë, sepse siç  thoshte John Locke,  “...ju nuk mund të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën”.

Ideja e republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje

     Lëvizja kombëtare shqiptare nuk u nanuris, sepse organizimi i saj edhe pas  ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kishte rëndësi, jo vetëm pse populli shqiptar nuk barazohej me popujt tjerë, por për më keq,  Serbia përgatiste procese retrograde (të përvijuara në të ashtuquajturin “Libër i kaltër”), për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, lëvizja kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe mobilizuese të potencialit çlirimtar të Kosovës. Ndonëse objektiv i saj programor ishte bashkimi i kombit, propagandohej edhe ideja e republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje. Shkaqet historike që çuan në ngjarjet tashmë të njohura të vitit 1981, ishin, statusi prej robi i popullit shqiptar, pozita diskriminuese e tij në bashkësinë e popujve të ish Jugosllavisë, gjendja e rëndë dhe e pa perspektivë e ekonomisë së Kosovës dhe  puna e madhe që kishte bërë lëvizja ilegale për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Lëvizja kombëtare e Kosovës po kalonte nga veprimi në  konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa qindra mijëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës dhe përtej saj. Baza shoqërore e lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë.

 

Klasa politike shqiptare bisht i regjimit pushtues

     Klasa politike zyrtare kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse  përveç forcës së argumentit tani kishte edhe argumentin e forcës së  popullit të kryengritur, por ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989. Fatin e vendit e mori në dorë vetë populli, duke siguruar iniciativën vepruese dhe duke u bërë dalzotës suprem i tij. Më 1981 ndodhi demonstrimi plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, kryengritja paqësore në njërën anë dhe lufta e pashpallur që organizuan forcat serbe e jugosllave kundër popullit duarthatë dhe të pambrojtur të Kosovës, në anën tjetër. Demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste serbe, ndoshta pa kuptuar se oreksi i saj nuk do të shuhej vetëm me Kosovën.

 

Gjykimi i Grupit të Mehmet Hajrizit

     Rëndësia historike e Pranverës shqiptare të vitit 1981 qëndron në zgjimin shqiptar dhe në sensibilizimin e solidaritetin e gjerë ndërkombëtar. Duke qenë  gati e harruar në pluhurin e historisë dhe problem i brendshëm jugosllav, çështja e Kosovës me gjak e sakrifica u shfaq para botës me gjithë mprehtësinë e saj. Kosova e demaskoi fytyrën e vërtetë të politikës pushtuese të Jugosllavisë, duke lëkundur themelet e saj dhe sistemin e kalbur të vetadministrimit. Pavarësisht dëmeve të rënda që pësoi lëvizja e organizuar kombëtare, efektet e demonstratave në ngritjen e ndërgjegjes së qytetarëve për çlirim nga robëria, qenë të barabarta me dhjetë vjet të punës së saj. Marsi dhe prilli i vitit 1981 përbënin rubikonin e Kosovës në luftën çlirimtare, përparimin e ndërgjegjes së Lirisë, siç do të thoshte Hegel dhe preludin e ngritjeve, sasiore e cilësore të lëvizjes së re kombëtare, deri në epokën e lavdishme të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ranë për të mos vdekur kurrë

     Në njëzetë e gjashtë vjetorin e demonstratave historike, Kosova do të duhej edhe institucionalisht të kujtonte dëshmorët e tyre, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë të demonstratave  dhe militantë të lëvizjes kombëtare, Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi e Sherif Frangu etj, që ranë për të mos vdekur kurrë.

 

 

Dëshmorët: Afrim Abazi, Naser Hajrizi dhe Ruzhdi Hyseni

     Janë shumë mesazhet që vijnë nga viti 1981, por porosia më domethënëse për brezin e sotëm është të mos lejohet  përsëritja e zgjidhjeve gjysmake dhe të padrejta të çështjes së Kosovës, të cilat e çuan në tragjedi të njëpasnjëshme këtë popull të shumëvuajtur. Populli i Kosovës ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e merituar, prandaj nuk duhet detyruar që sërish të gjakoset për të drejtat e tij të ligjshme.

 

MARSI, KY MUAJ I LEGJENDAVE QË ZURI VEND

NË HISTORINË TONË MË TË RE

Shkruan:Mehmet BISLIMI

Më 11.03.2007, Zvicër

 

     Bijtë më të mirë të popullit tonë me punë, hapur e fshehur e sollën 11 marsin...

     Pranvera po vjen ngadalë. Si duket nuk mund të kalojë kaq lehtë pa u hetuar “koinçidenca” e vlimeve të furishme në Kosovë, që zakonisht kanë ndodhur e po ndodhin gjatë muajit mars. Që nga viti 1981 e deri të rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari, marsi ishte prehri  ku mbështeti kokën e tij plot me halle populli ynë liridashës. Edhe më pas kur Egzonin me shokë i përpiu Ibri i ftohtë e deri tek ditët e sotme, ngrohtësia e tokës gjatë muajit mars sikur na forcoi, tamam si Anteun dikur. Marsi, ky muaj i legjendave që zuri vend në historinë tonë më të re. 11 mars i vitit 1981. Nomenklatura e sistemit pushtues titist, të korruptuar, të rënë nga morali, të degjeneruar e të dalë boje nga ideja e mirëqenies socialiste dhe vetëqeverisëse, nën petkun e vëllazërim- bashkimit, kishin bërë shumë padrejtësi në Kosovë, mbi kurrizin e popullit shqiptar, duke e eksploatuar tokën tonë deri nën thellësitë e detit. Megjithatë, Kosova kishte mbetur njëra ndër vendet më të pazhvilluara në tërë hapësirat e pushtuesit jugosllav. Popullata jonë nënçmohej dhe diskriminohej në të gjitha poret e jetës. S’do mend se kupa e mbushur e pushtuesit jugosllav prej kohësh nuk po mbante më dhe padyshim se ajo duhej të përmbysej një ditë, dhe kjo ndodhi, u përmbys pikërisht aty ku duhej të përmbysej, pra mu në mensën e studentëve të Universitetit të Kosovës!

 

     Dhjetramijëra demonstrues më 1-2 prill 1981, artikuluan fuqishëm kërkesën Kosova Republikë!

Këtë ditë e priste populli ynë prej dekadash e priste me padurim, e priste me guxim e dashuri të madhe, pritej kjo pranverë që erdhi më herët se ajo kalendarike. Erdhi e furishme, me lulëkuqet e atij behari të rinisë së madhe studentore.  Bijtë më të mirë të popullit tonë kishin punuar gjatë kohë për një ditë si kjo. Hapur e fshehur ata sollën 11 marsin duke u përballur me vuajtje e persekutime, me varfëri e diskriminim, me shtypje e burgje, me vrasje e likuidime, me shpërngulje e dëbime,... 11 marsi i vitit 1981 është fillimi i një fundi të pushtimit të Kosovës. Aparati shtypës serbosllav nuk mund të kishte rezultat tjetër në Kosovë, veç revoltës së fuqishme popullore e cila me këtë rast tregoi se nuk do të lejojë më nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe lirisë së saj me as një çmim! Këtu fillonte edhe fundi i një maratone të gjatë e robërisë të Kosovës, që pushtuesi jugosllav me hekur dhe zjarr nën petkun e dinakërisë së vetëqeverisjes e shkeli dhe shfrytëzoi  Kosovën për decenie me radhë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 eksploduan si një fuçi baroti në duart e pushtuesit jugosllav. Këto demonstrata tundën për shkatërrim themelet e ish Jugosllavisë Socialiste të asaj kohe. 11 marsi i atij viti është fillimi i një fundi të pushtimit të Kosovës. Jugosllavia e pas këtyre ngjarjeve, as edhe një herë nuk morri veten më, edhe pse ajo nuk la gurë pa lëvizur. Duke vu në lëvizje tërë organizmin e sektorit të UDB-së (në mesin e tyre edhe shumë puthadorësh shqiptarë), bënë arrestimin e mijëra të rinjve, veçmas studentë dhe intelektualë, por edhe punëtorë të shumtë. U ngritën gjykata të tëra në këmbë, të yshtura nga politika zyrtare e Beogradit dhe dënuan popullin e Kosovës me dënimet më drakonike! Po thuaj shumica e këtyre gjyqtarëve, fatkeqësisht puthadorë shqiptarë, suspenduan e diferencuan shqiptarët nga puna, nga shkolla, nga fabrikat, nga shoqëria, madje shkuan aq larg sa kërkonin edhe lëçitjen e të gjithë atyre që në një formë a tjetër përkrahnin këto demonstrata. Me gjithë presione të mëdha, populli ynë përballoi me dinjitet duke i dhënë mesazh të qartë e të prerë pushtuesit jugosllav se: Ne, nuk e durojmë më jetën e robit! Kjo ishte koha kur sakrificat më sublime që do të pasonin për Kosovën filluan të gatuheshin në zemrën dhe mendjet e atdhetarëve më të mirë shqiptarë. Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon, finalizimin e vet. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të lirë dhe sovrane të Kosovës, me të gjithë ata që dëshirojnë të ndjehen të lirë e të jetojnë këtu në tokën e Kosovës. Klasa politike e sojit Hasani, Shukriu, Shiroka, Vllasi, kjo shtresë vazalësh,  kishte një urrejtje patologjike  ndaj bijëve më të mirë... Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë me pupla të ish pushtetit jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë, ngase ishte e palogjikshme që nga ajo shtresë vasalësh të presësh diçka atdhetare. Pushtuesi kishte përgatitur këtë shtresë me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thoshte “ Kosova Republikë!”, të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 vite burg! Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj elite, shkuan aq larg, sa që për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj tij, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave siç ishin Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi  etj.

 

Servilët e regjimit pushtues:Ali Shkuria, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi

     Këtë klasë politike e shfrytëzoi maksimalisht pushteti jugosllav, deri sa një ditë e hodhi për tokë si një limon të shtrydhur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentist, ballist, nacionalist, vrimë e miut, diferencime, lëçitje e shkuan aq larg sa që preken edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj elite me kohë kishte kaluar edhe në urrejtje patologjike dhe hakmerrej kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes e mbështetur nga yshtjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën shqiptare të asaj kohe e kishte bindur që të lehte pa ndërprerë kundër interesave popullit të vet. Qentë po lehnin, por karvani po ecte, vërtetë ngadalë, por sigurt!

     Si u përgjakën demonstratat paqësore të masit-prillit 1981 nga milicia dhe ushtria pushtuese jugosllave

     Në vetën e parë:

     -  Më 26 mars, u ngjita shtyllës ndriçuese të rrugës (diku pranë radio Prishtinës), dhe hoqa flamurin e Jugosllavisë, duke e përplasur atë për tokë. Sinan Hasani në librin e tij, kishte shkruar se: “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë, dhe përdhosi  flamurin e Jugosllavisë!” Në fakt, ai kishte të drejtë ngase mua më duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, unë e përbalta flamurin e pushtuesit, atë flamur më vonë e vrau me pushkën e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tonë.

 

     -  Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi; nxënës, studentë, punëtorë, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar- që të gjithë! Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës qëndruan hapur për demonstruesit. Ata na pritën me bukë e kripë e zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, na e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot i puthi me respekt duart e të gjitha atyre nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma. Ta paçim borxh Prishtinë!

     -  Punëtorë të shumtë të furrave e të shitoreve, shpërndanin bukë, pije e ushqime të tjera, për demonstruesit. Sot më lejoni të ju them: Ju lumtë o bijtë e atdheut, dëshmuat dashurinë për atdheun dhe për bijtë tuaj!

     -  Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku”etj, me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Ata sollën me vete së bashku me përkrahjen morale për ne edhe mjete tjera barrikade si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë etj. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë tyre! Mos e harroni këtë kategori që sot është si mos më keq!

     -  Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe aftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët më të bukura, dhe më të guximshme si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS ! Mos e harroni këtë akt, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete!

 

Proceset gjyqësore kundër intelegjencës sonë atdhetare

     -  Mbi fakultetin Ekonomik, nga një tank i ish ushtrisë jugosllave u shti në turmë.  Shtiu armata e quajtur JNA! Nga breshëria e plumbave, u këput për dhe Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut nga Polaci i Drenicës dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet: “Mos trego në shtëpi, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”... dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës, dhe besën e betimin e dhënë!

     -  Një grua që kishte në dorë një litër qumësht, të cilën e kishte blerë diku në treg për bebet e saja, na e zgjati atë qumësht, duke na thënë: “Merreni se fëmijët i ushqej edhe me gjirin tim!” Mos e harroni gjirin e nënave të cilat na e dhanë për këto ditë, jo për të shkelur mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, se pastaj detyrohen e na thonë : “ Haram ju qofshin gjinjtë e nënave!”...

     -  Në demonstratën e prillit ishte vra edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës. Edhe një lule e këputur në mesin e shumë Dëshmorëve të Kombit. Me disa shokë shkuam atje që të përshëndeteshim për së fundi herë para varrimit. Si sot... në një oborr të vogël... nën një pemë të madhe që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!... Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë, dhe vetëm të lirë!

 

Mijëra atdhetarë u dergjën nëpër kazamatet e tmerrshme jugosllave

(pamje nga Goli Otoku)

      -  Nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Në orën 4 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, prapë njëri nga Dalibashiqët doli me pushkë M 48- të, në dorë dhe diku 10-15 metra mbi shtëpinë e tij, qëlloi një demonstrues i cili atë moment ishte duke manovruar me një kamion për ta bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej 200 metrash më lartë, mbrapa trafo-së së rrymës, këtë ngjarje e kemi parë me sy, unë -  Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina! Nuk kam njohuri, nëse këta dy të qëlluar nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur, apo shpëtuar? Dalibashiqët për këtë akt u dënuan atë botë vetëm me nga 30 ditë burg kundërvajtës. As kjo nuk duhet harruar!

      -  Në Kosovë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave, vrau 11 demonstrues dhe plagosi mbi 300 sish. Burgosi mbi 2500 të rinj, përjashtoi nga shkollat, fabrikat, dhe institucionet tjera, diferencoi, lëçiti me mijëra  shqiptarë. Vizitoni varret e të rënëve, në mënyrë që t’i kujtojmë flijimet e tyre për një Kosovë të lirë!

     -  Milicia e Jugosllavisë, në mesin e tyre edhe shumë milicë shqiptarë, me 26 mars, diku pas orës 16 u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën një dhunë të paparë as në Aparteidin e Afrikës. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, së cilës më shumë se katër policë nuk po mundnin t´ia hiqnin flamurin nga duart Shqiponjës së Kosovës! Mos harroni, askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen apo përshtatën për hir të minoritarëve që në Kosovë përbëjnë 5 %!

     -  Në maj të po atij viti Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e tyre! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav se shqiptarët një ditë do të detyrohen të mbrohen edhe me armë. Tahiri atë vit vrau me pushkën  e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit, vrau namin e tyre edhe për më keq hodhi për tokë “mitin” mbi njësitet speciale të ish UDB-së. Mos harroni krismën e pushkës së lirisë të Tahir Mehës. Ishte lajmëtarja e parë e pushkëve të lirisë së UÇK-së!

     Çmimin e lirisë, deri sot e kemi paguar shumëfish!

     E tërë një histori luftërash e vuajtjesh për liri, sigurisht që nuk i ka rrënjët cekët. Ato rrënjë janë të thella, dhe datojnë që kur erdhi pushtuesi në tokat tona, prandaj rrënjët e lirisë nuk dukën mbi tokë që t’i shkuli pushtuesi kur të dojë. Jo, ato bulojnë çdo pranverë, bulojnë nga shtytja që i jep fuqi gjaku derdhur për liri. Historia jonë nuk është histori romantike me të vërshuara e me të shkëputura, kjo është histori që i ka futur tmerrin pushtuesit serb. Kjo histori ka kaluar për tehun e shpatës së Gjergj Kastriotit, për mes kështjellës së barotit të Luanit të Janinës, për mes kullës së Oso Kukë Vraninës, për mes litarit të Idriz Seferit e gjoksit të Mic Sokolit, për mes diplomacisë së Abdylit, Hasanit e  Qemalit, për mes kobures së Boletinit, për mes së tehut të sopatës së Ahmet Prekazit e mitralozit të Adem Jasharit. Kjo është një histori e tërë, që nuk e zhbëri as Sulltani, as Krajli i Serbisë e as jugosllavët. Brezi i demonstrueseve të vitit 1981, përfundimisht shembi themelet e Jugosllavisë pushtuese. Pushkët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetur fuqishëm nga populli ynë, bënë gërmadhë kalanë të quajtur Serbi. Mos të harrojmë edhe këtë: Çmimin e lirisë, deri sot e kemi paguar shumëfish!

 

 

 

powered by Beepworld