Ekskluzivisht për www.pashtriku.org

 

Bashkim Suka - Ditar i luftës

 

MARSHI I NJË LUFTËTARI

 

 

 

 

     Kur të lexohet ky ditar duhet të merren parasysh disa momente, mënyra dhe koha se si u shkrua, sepse autori Bashkim Suka tashmë Dëshmor i Kombit, në të shumtën e rasteve ka shkruar në ambiente lufte, dhe një pjesë të vogël të ditarit, që përfshin katër faqet e fundit, i ka shkruar në shtëpi. Kështu, në këtë tekst vërehen disa karakteristika, shpesh fjalia është e shkurtër, dhe shpreh në mënyrë të thuktë dhe të drejtpërdrejt mendimin e autorit, sepse shikuar në aspektin kontekstual, autori nuk ka mundur ta plotësoj tekstin me stilema, duke marrë parasysh pozicionin e tij në momentet e shkrimit të ditarit.

 

 

 

KUJTIMET DHE PËRJETIMET E MIA

 

     Lufta nisi në Drenicën martire dhe mbarë Kosovën. Po bëhen shumë vrasje dhe masakra në popullatën e pambrojtur civile. Mirëpo, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po i kundërvihet armikut, si në aspektin e forcave ushtarake ashtu edhe në aspektin teknik, material, duke i sjell atij dëme të konsiderueshme. Kështu, vazhduan luftimet në Drenicë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës vinte e organizohej dita - ditës në tërë Kosovën. Në rajonin e Vërrinit të Prizrenit, po në këtë pranverë, filluam të organizoheshim edhe ne, ku organizatorë ishin Xhevat Berisha, Xhemshit Krasniqi, Salajdin Berisha, etj.

     31 gusht 1998

     Një ditë para ofensivës, armiku kishte përgatitur arsenal me armatim të rëndë si konvoje, tanke, autoblinda dhe topa që ishin të stacionuar në kodër të Sfilenit. Ushtria jonë i kishte vërejtur se kishin ardhur forca të mëdha afër fshatit Kushnin dhe Lezë. Komandanti i fshatit Lezë, Feimi, erdhi me dy ushtar për të lajmëruar në shtabin kryesor, me qendër në Jeshkovë, ku ishte edhe komandant Drini. Komandant Drini na dha urdhër neve të policisë ushtarake (PU) që të përgatiteshim për përforcime në Lezë. Kështu ne u përgatitëm, ata na thanë se iu duheshin dhjetë ushtarë. Mua Smajli nuk më la të shkoja, ai më tha të rrija këtu, sepse iu duhesha për nesër. Atëherë u nisën oficer Skënderi, Xhevati, Smajli, Arditi dhe komandanti ynë, Sala. Ndërsa, ushtarët tjerë u nisën drejt për në Lezë. Ishte mesditë, ora ishte katër e gjysmë. Ne ishim në gjendje gatishmërie, ndërsa në shtab ishin komandant Drini, profesori, nënkomandanti, Murseli, një tjetër që nuk e njihja dhe disa ushtarë të tjerë. Në mbrëmje erdhën edhe disa ushtarë nga Poslishti dhe nga Billusha. Aty rreth orës tetë të mbrëmjes, u kthye oficer Skënderi dhe më tha që të rimë në gjendje gatishmërie për më vonë, për t’iu shkuar atyre në ndihmë. Më vonë erdhi Fatmiri, i cili kishte qenë në shtëpi. Ai kishte marrë disa ditë pushim, pasi që policia serbe ia kishte arrestuar të vëllanë. Mundohej të gjente ndonjë rrugë për ta liruar atë. Atë natë kemi qëndruar bashkë, ai i kishte marrë disa fotografi të vëllait, që kishte qenë ushtar në Kroaci në luftë dhe m’i tregoi ato. Bisedonim. E pieta se çka kishte ndërmend të bëjë për të vëllanë. “Eh, more Bashkim”- më tha. - “Jam në gjendje të bëj çmos nëse donë me para, nëse donë me gjithçka, por po më duket se do ta dënojnë shumë” - ma ktheu. I thash të mos mërzitej se një ditë do të bëhej mirë dhe patjetër do ta lironin. Atë natë qëndruam deri vonë, dike deri rreth orës një pas mesnate, dhe unë rashë të pushoj. Atë natë pash ëndërr, disi e kishin rrethuar Tusuzin me ushtar e tanke. Në mëngjes u quam diku rreth orës gjashtë, komandant Merseli më tha: Bashkim duhet të jemi në gjendje gatishmërie e gjithë ushtria, sepse armiku po më duket se na ka rrethuar të gjithëve.

     1 shtator 1998

     E gjithë ushtria ishin në gjendje gatishmërie. Ne të policisë ushtarake (UP'së) prisnim të shkonim dhe të ndërroheshim në Lezë, mirëpo komandant Drini na tha se ushtria e Jeshkovës, dhe ne të policisë do të dilnim në kodër të fshatit. Prandaj, ne u armatosëm dhe u përgatitëm për rreshtim. Disa ushtarë që s’kishin armë u detyruan të hynë në magazinën e shtabit nga dritarja për t’i marrë armët, sepse çelësin e kishte marrë me vete komandant Sala. Kështu u armatosën edhe ata që s’kishin pasur armë dhe u nisëm për në kodër, të gjithë së bashku, si vëllezër për një komb dhe një qëndrim. Pastaj, prisnim të merrnim ndonjë lajm se nga kishte nevojë për përforcime. Aty nga ora tetë e mbrëmjes filluan të shtënat në Lezë. Granatimet i vërenim nga Jeshkova me dylbi. Nuk ishim në gjendje të shkonim e as të rrinim, pritnim një komandë. Ishim të bllokuar. Në orën 8 e 40 minuta me një automjet vjen Ismajli nga Lubiqeva. Ne kujtuam se do të na thërret për ndihmë lartë në Lezë, kur në atë moment te kthesa e kodrës së Jeshkovës, krisi rafali i mitrolozëve të rëndë mbi ushtrinë, por për fat të mirë asnjërin nuk e rroku. Plumbat shkonin mbi kokat tona, por fati që u shtrimë për toke. Smajli na tha: “Qenkemi në rrethim, zini pozicionet rreth fshatit”. Pastaj, ai u nis me veturë në valën e plumbave, kurse ne u nisëm për në kodrën e Jeshkovës. Kështu, u futëm në mal nga një kanal ku ishte një pozicion i hatashëm.

     Në atë kanal për çdo 10 metra i zumë pozicionet. Plumbat na fishkëllenin mbi kokat tona. Kishin filluar granatime të ashpra mbi fshatin Jeshkovë. Nuk shihnim asgjë, sepse ne ishim stacionuar lartë. Atëherë komandanti i njsisë së Jeshkovës tha: “Po nisemi një grup për t’i dalë armikut mbrapa shpine”. U ngrita unë, Fatmiri, Xheza dhe disa ushtarë të Jeshkovës. U bëmë diku 15 vetë. Agimi u nis i pari, ne prapa tij, të tjerët i lamë në pozicione me Mërselin. Ecëm nga gryka e lumit, kah mali gjerman, dhe nxitonim me të madhe. Duke ecur në një livadh, pamë se si ishin bërë bashkë; lopë, kuaj e qe besa edhe qentë, ishin ulur së bashku dhe pallnin. Ata ishin ikur nga fshati. Kur i pashë ashtu kafshët, besoni u ngushtova shumë. Ishte një tmerr i madh.

     Kishte granatime pa ndërprerë. Duke vrapuar e takuam rojën tonë, që ishte lartë dhe kishte zënë pozitë për të na vrarë, por fati që na kishte vërejtur dhe na thirri, duke e përmendur komandant Agimin. Atij i tha që ishte Isameti, ndërsa ne u ndalëm dhe e vërejtëm se ishte i rraskapitur. Ai na pyeti se ku po shkonim, ndërsa ne i treguam se ishim nisur për në kodër. Ai na tha se nuk bën kurrsesi të niseshim lartë sepse ishim të rrethuar, ndërsa na tha të shkonim poshtë fshatit për ta tërhequr popullatën sepse mund të hynin këmbësoria. Atëherë u kthyem prapa duke vrapuar.

     Granatimet binin afër e larg nesh. Atëherë jemi afruar afër fshatit, ku ishte rruga Jeshkovë-Hoqë. Në fshat e kemi takuar komandant Drinin, Selimin, Smajlin dhe tre ushtarë nga Hoqa. Komandant Drini, disa ushtarëve të Jeshkovës iu tha që të ngjiteshin dhe të zinin pozicionet përreth fshatit, ndërsa mua dhe Fatmirit na tha që të rrinim, aty ndërsa Xheza tha që do të pushonte edhe ai, sepse ishte lodhur shumë. Më vonë, komandant Drini, mua dhe Fatmirit na tha që të ngjiteshim afër një kodre dhe ta vëzhgonim terrenin. Unë së bashku me Fatmirin u ngjitëm lartë, derisa i zumë pozicionet dhe po pinim duhan, kishte granatime të pandërprera si dhe rafale të golinovit të kalibrit 12.7.

     Ne vëzhgonim por nuk mund t’i vërenim ushtarët serb, sepse ende nuk ishte lëshuar këmbësoria. Diku rreth orës dy të mesditës i vërenim granatat që binin mbi shtëpitë e fshatit të cilat rrënoheshin, si dhe iu dilte flaka. Në shtab ishin disa vetura, njeri kishte alarm dhe sa herë që granatohej, ndizej alarmi. Ishte një tmerr i vërtetë, nuk shihnim asgjë, përveç makinerisë serbe që granatonte. Më pas zbritëm poshtë te komandant Drini, atij i treguam se asgjë nuk po mund të shihnim. Ai kishte minahedhësin dhe menjëherë filloi të gjuante me të, ndërsa afër kishte disa predha të minahedhësit. Mua dhe Fatmirit na tha që të largoheshim 150 metra larg njëri tjetrit, ndërkaq ne i zumë pozicionet në një livadh. Drini gjuante me minahedhës drejtë kodrës së gurit të Kallugjerit. Smajli, me dy ushtar të Hoqës shkoi për t’i marrë për ndihmë disa ushtarë për në Jeshkovë, kurse Drini me Selimin u larguan prej nesh 500 metra me një ushtar të Hoqës. Pastaj, nga çdo lëvizje që bënim kishim të shtënat që na ndiqnin hap pas hapi.

     Rreth orës tre, me Fatmirin u bashkuam rreth një lisi dhe i ndezëm cigaret. Unë fillova të këndoj këngën e “Kushtrimit” të Shaqir Cërvadikut dhe këngën e “Ushtarit të vajtimit”. Fatmiri mu afrua afër dhe iu mbushën sytë me lot, ndërsa Xheza ishte më larg nesh. Fatmiri mu lutë që të këndoja përsëri, por mua nuk më bënte zemra që të vazhdoj dhe sytë m’u mbushën me lot. Fatmirit i thash se nëse do të vdisja, shkijet dhe spiunët t’i farosnin, dhe po ashtu edhe të gjithë ata që punojnë për të keqen e atdheut. Por, ai më tha duke qeshur: “E bre budalla, po ku ka plumba për ne”. Më pas, komandant Drini e kishte dërguar një ushtar për të na thirrur poshtë.

     Pastaj u nisëm me katër vetë, rrugës vërejtëm dy shtëpi të fshatit, granatimet ishin të pandërprera. Kur mbërritëm tek ato dy shtëpi, u vërejtëm dhe kështu duke e mbrojtur njëri - tjetrin me rregulla ushtarake u larguam 70 metra larg shtëpive. Serbët na gjuajtën me mitrolezë, ndërsa ne u shtrimë në tokë për t’u ngritur më pastaj sa për ta ndërruar pozitën tonë. Ata na gjuajtën dhe katër prej nesh mbetëm të plagosur. Xheza dhe Agimi u ngritën dhe u larguan, kurse unë me Fatmirin mbetëm të shtrirë. Unë e vërejta se ata po largoheshin, iu bërtita duke iu thënë se ku po shkonin, duke na lënë të plagosur. Xheza e ngriti dorën dhe vazhduan, kurse unë me Fatmirin u ngritëm ngadalë dhe u futëm me një luginë të një përroi. Në një moment mua më ra një granatë e dorës dhe një karikator, granata e dorës për pak sa më iku pa e kapur. Më pas ashtu duke mbajtur njëri - tjetrin vazhduam rrugën. Serbët në mënyrë të pa ndalur granatonin mbi ne. Pranë nesh vërejtëm një gropë të mbushur me ujë, unë u futa në ujë, u përplasë edhe Fatmiri në anën tjetër. Ashtu u mbështetëm në një gurë, Fatmiri më pas më tha: “Ndal ta shikoj plagën”.

     E vërejta se kisha pasur plagë të madhe. Më pas i thash të mbështetej që t’ia shihja më mirë plagën, plaga i ishte shkaktuar nga granata, dhe ia kishte dëmtuar veshkat, mirëpo megjithatë ishte plagë e vogël. U ngritëm, dhe i thash Fatmirit që të shkonim në Hoqë, duke menduar se atje do të na jepnin ndihmën e parë. U nisëm duke u mbajtur me pushkë në tokë. Granatimet ishin të pandërprera. Ashtu duke ecur u afruam tek shtëpia e parë që pamë, hymë brenda në oborr, thirra disa herë të zotin e shtëpisë, por megjithatë aty nuk ishte askush. Aty pushuam për disa kohë, Fatmiri kishte dhembje, po ashtu edhe unë, por i përballuam dhembjet. Më vonë dolëm nga ajo shtëpi për në rrugën kryesore, ashtu duke u mbajtur me pushkë, Fatmiri u lodh dhe u mbështet pranë një muri, pastaj më tha: “Bashkim ma hiq xhyksoren se mbarova, unë ia hoqa xhyksoren dhe municionin, duke e bërë më të lehtë. I mori, i palosi dhe i mbështeti në mur. “Unë nuk mundem më”, më tha. Ia morra municionin, duke i vendosur në krahun tim. I jepja zemër duke i thënë në çdo moment se gati jemi të arrijmë në vend.

     U nisëm sërish për të kërkuar ndihmë, kur e kaluam urën, aty i pamë disa ushtarë tanë. Ata erdhën për të na dhënë ndihmë. I thash atyre të shkonin shpejt në Jeshkovë për të ndihmuar, sepse atje ishte bërë tmerr i zi. Ata na quan në një shtëpi dhe na futën brenda. Kur hymë Brenda pamë Xhezën dhe Agimin. U habita dhe iu thash se përse nuk na kishin pritur. Ata më thanë se nuk e kishin ditur se edhe ne ishim të plagosur. Aty, ishin disa motra të cilat ishin të gatshme për të na dhënë ndihmën e parë, një mjek dhe një stomatologe, që kishte bërë praktikë në lëmin e kirurgjisë. Neve, na dhanë ndihmën e parë, përkatësisht nga një infuzion, që mua më qetësoj pak, kurse Fatmiri kishte jashtëzakonisht dhimbje të mëdha. Mjekët na premtonin se do të na qetësoheshin dhembjet.

     Aty nga ora nëntë erdhi Drini, Selimi dhe djali i Selimit, Bujari. Dirini na tha se përse kishim shkuar në atë pjesë, pastaj na tregoi se neve na kishte rrokur mitrolezi i rëndë 12.7. Duke e shikuar, ai na premtoi se do të na transferonte për në Prizren. Ne mbanim shpresë se do të na shpëtonin jetën. Drini iu kishte thënë mjekëve që të na operonin me çka të kishin mundësi. Mjekët kishin thënë se s’kishin kurrfarë mundësie të na operonin, sepse s’kishin mjete. “Atëherë bëni ç’të doni”,- u kishte thënë Drini.

     Atë natë të zezë, me dhembje e hidhërime mezi e kaluam. Një mjek, Shefajetin, Fatmiri e kishte tezakë, më kujtohet tek sa e përgjëronte. “Oh, tezak ndihmomë se shkova”, dhe plaga vazhdimisht i rridhte gjak. Shefajeti shkoi në shtab, në Hoqë, te komandant Xhelili për të kërkuar ndonjë rrugë zgjidhje për të plagosurit. Xhelili i kishte thënë se do të mundohej ta zgjidhte këtë problem. Fatmiri kishte dhembje të mëdha, prandaj ato vajza që e jepnin ndihmën e parë, njëra prej tyre, shkoi dhe e thirri një femër e cila ishte e martuar, të cilën Fatmiri e njihte. Ajo na shikoi plagët dhe na dha nga një infuzion, por Fatmiri megjithatë kishte dhembje. Pasi Fatmiri e njohu atë grua, i tha t’ia kryente një amanet: “Mi bëj të fala gruas dhe familjes. Të lutem ma dërgo fjalën në vend”, ishte amaneti i tij. Kur e dëgjova të fliste ashtu, e kuptova se gjendja kishte filluar t’I përkeqësohej shumë. U mërzita shumë. Ngrihesha çdoherë dhe mundohesha ta ndihmoja, ishte shumë i etur, ndërsa ne s’guxonim t’i jepnim ujë. disi ajo natë e tmerrshme, pas granatimeve të pandërprera dhe artilerisë së rëndë, që kishin përdorur kundër nesh.

      2 shtator 1998

     Vinte ditë e zezë, unë e porosita një vajzë, Valbonën, që të shkonte tek komandant Xhelili dhe të bisedonte në lidhje me ne. I thash që ta gjente një makinë, sepse isha në gjendje të vozisja vetëm për t’ia shpëtuar jetën Fatmirit. Ajo u nis dhe mes plumbash ka shkuar te Xhelili. I kishte thënë atij, se tani kur do të kthehej kishte shumë mundësi që ndonjërin prej nesh nuk do të na gjente më gjallë, sepse gjendja shëndetësore, sidomos Fatmirit iu kishte përkeqësuar shumë. Atij nisi t’i ndalej fryma. Gjaku nuk i qarkullonte më. Pranë tij ishin edhe shokët tanë: Erani, Ismeti, Bajrami, Shefajeti, Drita, Xheza, Agimi etj. Rreth orës tre të dites Fatmiri u nda nga jeta. Mua vdekja e tij më tronditi në zemër. Më dukej e pamundur se një djalë i tillë, i gjatë, i bukur, punëtorë, edhe besa shokë e luftëtarë u nda prej nesh. Asnjëherë nuk do ta harroj vdekjen e tij nga mungesa e ndihmës mjekësore. Shkoi gjithë ai mashkull. Më pas ata e morën nga ajo dhomë, dhe e dërguan në një dhomë tjetër. Kur u kthye Valbona që kishte qenë në Hoqë dhe hyri brenda tha se Xhelili i kishte premtuar se do të vinte brenda disa orësh, por kur e ktheu kokën nga ne pyeti se ku është Fatmiri. Ajo na pa duke qarë, dhe e kuptoi se kishte vdekur, filloi të qante me të madhe, “S’është e mundur”, klithte. Pas një orë e gjysmë na lajmëruan se këmbësoria kishte hyrë në Jeshkovë, thoshin se do të hynte edhe në Hoqë. Ne u detyruam të iknim për në Poslisht. Ne dolëm prej fshatit Hoqë aty rreth orës 16:00 të pas ditës. I gjithë fshati i lëshoi shtëpitë e tyre, ndërsa vetëm ushtria jonë ishte në pozicione të caktuara. Kurse, në anën tjetër, e gjithë ana e Vërrinit ishte në rrethim, s’kishim ndonjë kanal për të depërtuar. Neve të plagosurit na lanë në ordinancën”Nënë Tereza”. Aty na pastruan plagët dhe më pastaj na drejtuan në shtëpinë e Dinës, ku në atë shtëpi ishin edhe 80 vetë që kishin ikur.

     Në Poslisht ishin të gjithë ata që kishin ikur prej Jeshkovës, Hoqës, Billushës, kurse Lubeqeva, Lezi, Kushnini, Leskoveci kishin ikur për në qytete. Lagjja e Tusuzit ishte e rrethuar dhe të gjithë banorët e saj kishin lëshuar shtëpitë e tyre. Po në atë ditë, banorët e Poslishtit organizuan dorëzimin e armëve të tyre. Ata ishin: Dina, dr.Bakija, Imria dhe Avnia. Këta i lëshuan pikat në Poslisht, duke përfshirë edhe Hoqën dhe Billushën. Dina me dy të tjerë shkoi në stacionin policor të Prizrenit për të biseduar me ta, atje ishte edhe doktor Bakija dhe kishin biseduar për kushtet e dorëzimit të armëve, ndërsa çetnikët iu kishin thënë që t`i mblidhnin armët, dhe t`i dorëzonin me kusht që mos të kishin probleme. Kur u kthyen menjëherë organizuan mbledhjen e armëve. Këtë e bënë ata burra të ligë, e bënë ata frikacak. Shqiptari më përpara e jep jetën e pastaj ndoshta edhe armën për së vdekuri. Ishte një tragjedi, ata i mblodhën armët, unë e kisha një kallashnikov timin, madje edhe të Fatmirit aty në dhomën ku rrija. Erdhën disa vetë së bashku me Dinën, më thanë se duhej t’i dorëzonim armët, dhe deshën të ma marrin edhe timen. Unë i thash se nuk kishte pse ta dorëzonin timen, atë mund ta fshihnim diku. Më thanë se nuk munden, pastaj e morën dhe i dorëzuan diku vonë afër mbrëmjes. Ndërsa në Lez, Lubeqevë e Tusuzë, kishte ende luftime dhe granatime por megjithatë ajo natë kaloi disi. Në mëngjes na lajmëruan se ishte thyer pika e Lezit dhe e Tusuzit, duke bërë që të lëshoheshin pikat. Në Lezë popullata kishte zbritur në Lubiqevë nëpër istikame, kurse banorët e Leskovecit kishin ikur për në qytet, në Prizren.

     Ne ishim ende të rrethuar prej forcave të armikut. Në mesditë na lajmëruan se kishin rënë disa dëshmorë: Xhevati, djali i Mërselit, Ibrahimi, Seladini, Femiu, vëllai i Xhevatit, Bekimi dhe disa ushtarë të tjerë. Na thanë se kishte të vrarë edhe prej popullatës civile. Kur dëgjova për këta shokë u mërzita shumë, dhe mu këputën këmbët sepse I njihja të gjithë dhe se ishin njerëz që e donin atdheun. Xhevati i kishte miqtë në Poslishtë, edhe miqve të tij, të cilët në ato momente ishin afër, iu erdhi keq. Ata na thanë neve, se këta dëshmorë që ranë e kishin paguar veten, sepse prej armiqve kishte më shumë të vrarë.

     Unë në atë moment po mendoja, mu kujtua një rast para një muaji kur e kisha një automatik. Xhevati kur ma pa armën më tha; këtë armën ke për të ma dhanë, nëse jo atëherë do t’i ndërrojmë, sepse po më pëlqen shumë. Unë i thash se e kisha për qejfi, por mbase i pëlqente, le ta merrte por me të t’i mbyste njëmijë shkije. Ai ma zgjati dorën, qe besa më tha, dhe më morri në ngryk. Unë mendova se besën do ta qonte në vend.

     Selajdini ishte komandant i policisë ushtarake dhe një njeri shumë i qetë, serioz dhe besnik i parimeve të tij. Po ashtu edhe një atdhetar I denjë. Kurse Ibrahimi më kujtohet kur deshi të shkonte për t’iu bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë atëherë kisha ca punë deri në shtab dhe e morra me vete për ta dërguar atje. Kishim edhe shumë shokë të tjerë dhe nuk e dinim se ç’kishte ndodhur me ta. Mirëpo, pas tre ditësh në mbrëmje kur erdhën katër vetë nga Lubeqeva, të lodhur e të rraskapitur, e madje edhe duke qarë, bërtitnin me të madhe duke e thirr emrin e bacës Din. “O baca Din, vetëm t’I din si të na shpëtosh se fëmijët na vdiqën, gratë dhe e gjitha popullata”, bërtitnin me të madhe. Ata na treguan se si që tre ditë po qëndronin nëpër istikame, pastaj pa ngrënë e pa pirë. Ndërsa, veten kishin mundur ta mbajnë gjallë nga mollët. Ata na thanë se ushtria dhe policia serbe s’kishte lënë gjë pa bërë, kishte të plagosur edhe shumë të vrarë. Atëherë, Dina shkoi për në Prizren. Ai në stacionin policor bisedoi për Lubiqevën dhe Lezin, përkatësisht për mënyrën e ndaljes së ofensivës. Komandanti policor i kishte thënë që të dorëzoheshin armët dhe s’do të kishte problem.

     Kur u kthye Dina i tregoi të gjitha. Ata pranuan t’i dorëzonin armët përnjëherësh. Ora ishte dhjetë e mbrëmjes, ata nuk shkuan atë natë, sepse ishin të rrezikuar, pasi që e gjithë ushtria ishte afër nëpër fshatra. Më vonë ata na treguan se të gjithë fshatin e tyre e kishin djegur, po ashtu edhe pajisjet e punës si traktorët, automobilat e tyre, etj. Të nesërmen me traktorë shkuan të gjithë, banorët e Poslishtit dhe të Hoqës për ta dërguar popullatën në fshatin Hoqë. Në Poslisht I kishin varrosur shumë kufoma. Po në atë ditë me katër shtator edhe në Jeshkovë u bë varrimi i kufomave që ishin gjithsej tetë ose nëntë vetë. Vetëm prej një familje ishin të vrarë pesë vetë, në mesin e kësaj familje ishte edhe komandant Agimi. Agimi ishte 23 vjeçar, komandant i Jeshkovës dhe kishte vetëm një muaj që ishte martuar. Për të thoshin se ishte shenjëtar shumë i mirë, që asnjë plumb nuk i shkonte huq. Uniforma e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës i kishte hije për së tepërmi dhe ishte atdhetar i devotshëm. Dëshmorët e rënë ishin diku 14-15 ushtarë, pastaj kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë, që gjithsej bënin 50 vetë, madje kishte edhe shumë të plagosur.

      Rrugët për në Prizren ishin të bllokuara prej policisë. Unë isha ende në Poslishtë, kurse familja ime nuk dinte asgjë për mua dhe për djalin e axhës. Madje, as unë nuk dija asgjë për Samiun, sepse ai kishte qenë në Lez ndërsa unë në Jeshkovë. Më treguan se gjendej një telefon privat, unë shkova me djalin e Dinës, ecnim ngadalë, sepse kisha gjakderdhje dhe më merreshin mendtë. Me telefon fola me të familjes, e vërejta se ishin bërë merak. I pieta për gjendjen e tyre, dhe se a kishte ndonjë gjë të re, që nuk e dija unë. Ata më treguan se shumë policë ishin stacionuar në shtëpinë tonë, ndërsa për Samiun më thanë se ishte andej, shëndosh e mirë. I tregova axhë Ganiut se isha plagosur dhe kërkova nga ata që të më merrnin. Njerëzit e mbledhur, filluan të shkonin nëpër shtëpitë e tyre, e dikujt mbase edhe i ishte kallur shtëpia. Unë mbeta i vetmi në atë shtëpi, të nesërmen erdhi doktor Bakija dhe një mjeke tjetër për t’i vizituar të plagosurit. Xhezairi, që kishte qenë aty shkoi me familjen e vetë, po ashtu edhe Agimi.

     Unë kisha mbetur i vetmi, mjekët më thanë se duhej të më operonin në fshatin Poslisht. Ndërsa, unë kërkova të më qonin në Prizren, kurse ata më thanë se ishte shumë rrezik të vepronin ashtu, sepse rrugëve kishte shumë ushtarë dhe kontroll të madh. Mjekët e vendosën të nesërmen operimin tim. Dina nuk ishte aty, kur u kthye i tregova për të nesërmen. Ai më tha se nuk bënte në asnjë mënyrë sepse dr. Bakia ishte kardiolog, ndërsa mjekja nuk bënë sepse është kirurge. Më tha të shkoja dhe të bisedoja me anëtarët e familjes sime, dhe të kërkoja nga ta që të më merrnin në shtëpi.Unë fola me babën. Ai më pyeti nëse isha shumë i plagosur. Jo, i thash por duhet të vini me një automobil, sepse nuk mund të eci në këmbë. Babai kërkoi që të më qonin deri në Vlashnje, e pohova ndërsa takimin e lamë për në mbrëmje. Pasi u përgatita, Dina më qoi deri në Vlashnje, te një mik i dajës. Me Dinën u përshëndetëm, iu falënderova shumë për ndihmën që ma kishte dhënë. Në atë shtëpi më pritën shumë mirë. Aty prita gjatë, megjithëse s’erdhën të më merrnin. U merakosa duke menduar në ndonjë fatkeqësi.

     Të nesërmen më 7 shtator 1998, para dere erdhi një taksist, që e kishin dërguar familja ime. Kisha menduar se me të do të vinte edhe ndonjëri i familjes. Ai taksist pyeti se a ishte shtëpia e Hamit Hoxhës, po i thanë, ata. Kam ardhur ta marr Bashkimin. Më pas dolëm nga shtëpia dhe u nisëm për në Prizren, prej Vlashnjes kah Nasheci dhe në Dushanovë. Ai shoferi më tha se nëse na ndalin policët rrugës, të rri i qetë. Do t’u themi atyre se kemi qenë për ta rregulluar një makinë. Por fati ynë që nuk pamë policë askund. Kur u futëm në qytet mu duk se jam në një qytet tjetër. Taksisti më dërgoi në shtëpinë e Veli Gashit, te motra ime. U futa brenda, shkova në dhomën e motrës, pastaj erdhi dhëndri me të motrën time dhe u përshëndetëm. Motra nuk e kishte ditur se ish i plagosur, filloi të qante, duke e akuzuar dhëndrin se pse nuk i kishte treguar.

     Unë u mërzita shumë, mu kujtuan shokët që kishin rënë dëshmorë, veçanërisht Fatmiri. Me vete thosha: “Eh more Zot, unë shpëtova ndërsa ai vdiq nga mungesa e ndihmës mjekësore”. Pastaj, më vonë erdhi baba, nëna, vëllezërit, axhët dhe e gjithë familja ime. U përshëndeta me të gjithë. Ata më pyetën se si kisha kaluar nëpër ato luftime. U mundova t’ju tregoja përafërsisht atë që kishte ndodhur me ne. Nuk qëndruan gjatë dhe shkuan. Ndërsa, nëna, baba dhe vëllezërit qëndruan. I pieta ata se si ishin kurse nëna më tregoi për shtëpinë e Xhevat Berishës, Xhemshit Krasaniqit dhe të Ajrin Qengajt, që ua kishin djegur shtëpitë tërësisht. Për Xhevatin a keni dëgjuar i pyeta, po, më thanë. Babai më tregoi se kishte qenë në morgun e spitalit të Prizrenit, ku i kishin sjellë kufomat e nëntë ushtarëve të Lezit, përderisa asgjë nuk u morë vesh për fatin e Samiut. Ai tha që ishte detyruar të shkonte dhe të futej në morg dhe aty e kishte parë trupin e Xhevatit, Ibrahimit dhe disa të tjerëve, që nuk i kishte njohur.

     Pastaj i kanë marrë kufomat dhe i kanë varrosur me drekë, ndërsa në mesditë ua kanë djegur shtëpitë. Baba, gjithashtu, tha se edhe tek shtëpia jonë ishte stacionuar policia dhe se e tërë lagjja ishte larguar. Eh, thash, kështu e ka lufta, dikush shpëton dhe dikush vdes. Kisha nevojë për ndonjë mjek, baca Velë, më tha të mos mërzitesha, sepse do ta sillte një mjeke. Nuk u vonua shumë erdhi me mjeken që e kishte teze. Ajo ishte motër medicinale në spitalin e Prizrenit dhe quhej Melihate Hallaqi. Ajo më pyeti nëse isha mirë. Unë i thash se nuk dija se çfarë t’i thosha, i tregova se dje kishin pasur të më operojnë por nga frika kisha ardhur këtu Ajo pyeti se kush do të më operonte. Unë i tregova për dr. Bakinë dhe për një mjek tjetër. I zoti i shtëpisë ku po qëndroja unë, nuk më la, i thash asaj. Ajo e pohoi pastaj tha se shumë mirë kisha bërë. Pastaj më morri në dorë dhe m’i shikoi plagët, m`i bëri disa analiza dhe tha se ishte mirë ta bëja një fotografim, por që ishte me rrezik për mua. Ndërsa, nuk pranoi të ma qepte plagën, sepse kishin kaluar shumë ditë dhe, sipas saj, do të shkonte një kohë e gjatë derisa plaga të mbyllej, por nuk do të ketë probleme, thoshte ajo.

     Pastaj shtoi : “Lutju Zotit që plumbi nuk të ka rrokë në kurriz, sepse kjo është kaluese”. Ajo vinte çdo ditë për vizitë. Isha qetësuar pak, por megjithatë kaloja në situata tensionuese dhe anksioziteti. Dushanovës i dhanë ultimatum për t’i dorëzuar armët, në të gjitha fshatrat filluan të shpërndanin pamflete. Fshatarët u detyruan t’i dorëzonin ato në mënyrë të ngadaltë. Por, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u dorëzua. Pas dy ditësh ia vunë flakën edhe shtëpisë sonë dhe fqinjit tonë, Rrahmanit. Armiqtë thoshin se ishte djegur nga rryma elektrike. UDB-ja na kishte zbuluar që prej vitit 1991. Na kishte vëzhguar gjatë, duke e kuptuar punën tonë në dobi të çështjes atdhetare. Veçanërisht, që kishim takime me njerëz të ndjekur nga UDB-ja, që vinin për strehim tek ne për të organizuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Babai kishte punëtorinë në shtëpi. Ai i punonte pajisjet e spitalit të Ushtrisë Çlirimtare në Lubiqevë.

     Brenda në shtëpi, përpara se ta digjnin serbët kishin gjetur, dy uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pushkë gjuetie që e pata rregulluar qysh në vitin 1994, një bombë dore, një revole tetëshe që e pata rregulluar me municion të gjuetisë, 60 copë dhe 40 copë fishek të automatikut. Policia kur i kishte gjetur këto armë menjëherë na quajtën familje terroriste, pastaj edhe e dogjën shtëpinë tonë. Para se ta bënin këtë, ata e kishin plaçkitur punëtorinë me të gjitha mjetet e saj. E kishin plaçkitur edhe garazhin ku punoja unë. Babën dhe mua po na kërkonte policia serbe dhe ne duhej të qëndronim fshehur. Unë vendosa të shkoj për në Shqipëri, por kufiri ishte i minuar, bisedova me telefon me dajën në Shqipëri. Ai më tha të qëndroja këtu dhe të ruhesha sa më shumë. Këtu megjithatë ishte vend rreziku, ku policia serbe arrestonte me të madhe njerëz, të cilët ishin të pafajshëm, i rrihnin dhe i maltretonin.

     Unë vendosa t’i ribashkohesha Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pse isha i lënduar. Ndërkohë, u shpall armëpushimi në tërë territorin e Kosovës. Pastaj u takova me shokët, me Xhevit Berishën, që iu kishte vra vëllai i tij në Lez, dhe e ngushëllova për vdekjen e vëllait. Ai më këshilloi që të rrija edhe ndonjë ditë. Më tha të pushoja e pastaj do të shihte dhe do të bënte diçka. Unë mbeta tre apo katër muaj i mbyllur. Qëndroja ndonjë ditë te axha, herë te daja dhe herë – herë tek motra për të mos i rënë në sy armikut. Mbase disi iku viti 1998. Vitin 1999 e shpresova si vit të lirisë. Ushtria jonë vinte duke u përgatitur më mirë si në aspektin e armatimit ashtu edhe në aspektin luftarak, në çështje disiplinore, në kuadrin e oficerëve, etj. 03 janar 1999 Elbasani kishte ardhur te Xheviti. Erdhën të më lajmëronin. Shkova në mëngjes, aty nga ora tetë. U përshëndetëm ngrohtësisht, ngase nuk ishim parë pesë muaj të plota. Ai, fillimisht, më pyeti se si isha, pyeti për shëndetin e familjes sime. Po ashtu edhe unë kërkova të dija për të dhe familjen e tij. Kur e pyeta se kur kishte ardhur, ai më tha se kishte ardhur me “turrën e fundit”. Elbasani, kërkoi nga ne që ishim të qendrës, t’i organizonim njerëzit të cilët do të punonin për çështjen kombëtare. Duhej t’i merrnim edhe të rrezikuarit dhe t’ia bashkangjitnim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj, na tha se duhej të zgjedhim disa persona të cilët do të punonin si vëzhgues në Prizren dhe rrethinë. Ai tha se do të kishim takime të shpeshta për zbulimin e kriminelëve. Unë, menjëherë morra masa që t’i zgjedhja disa persona, të cilët do të ishin besnik në parimet e tyre atdhetare. Kështu zgjodha 8 shokë dhe shoqe që do të punonin.

     Pas disa ditësh erdhi Elbasani në qytet. U takuam në një shtëpi private, ku i tregova për grupin që e kisha zgjedhur. I thash se duhej të shkonim në Hoqë, tek babai i një shoqes sime, që ishte në grup me ne, sepse ai kishte kërkuar të bisedonte me ne për t’u angazhuar. Ai më tha se mirë ia paskan bërë që i kisha angazhuar në Hoqë. Atë natë qëndruam së bashku me Rexhën, Elbasanin. Biseduam për të kaluarën dhe të ardhmen. Të nesërmen, u takuam edhe me disa shokë dhe vendosëm që në mbrëmje të shkonim.

     Rreth orës shtatë u nisëm në këmbë. Me vete kishim një kallashnikov, municion dhe bomba. Mbërritëm, aty nga ora nëntë e gjysmë, dhe u takuam me komandantin e Lubiqevës, Salën së bashku me dy të tjerë. Lubiqevën e lamë aty nga ora një e natës për të shkuar në Jeshkovë dhe Hoqë. Atje arritëm në ora tre dhe menjëherë ramë në gjumë për të pushuar. Të nesërmen na pritën shumë mirë, i biseduam disa sekrete, kështu që na premtuan se do t’i kryenin disa detyra...

( ... )

 

     Disa nga bashkëveprimtarët e rinj te Bashkimit gjat vitit 1999:

     Valbona Qazim Shala,

     Avni Ismail Suka,

Besnik Gani Duga,

Arsim Belul Binaj,

Urim Selajdin Ponikaj,

Lulëzim Halil Bytyqi,

Burim Murtë Hodaj,

Këtu përfundon ditari i papërfunduar i Bashkimit, sepse ai bie në betejën e Jeshkovës (11 mars 1999), duke u ngritur në piedestalin më të lartë të nderit, atë të dëshmorit të Kombit ...

( ... )

 

 

 

Kopertina e librit „Marshi i një luftëtari“, prej ku është shkëputur ditari.

 

 

 

Dy faqe të ditarit të dëshmorit Bashkim Suka - në dorëshkrim.

  

( E përgatiti për botim moderatori i www.pashtriku.org - 20. 12. 2009 )

 

 

 

powered by Beepworld