Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1968

 

ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE TË VITIT 1968

 

 

Autori: Sheradin Berisha

 

Përmbajtja e lëndës:

 

1. Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare në ish’Jugosllavi, në periudhën 1946- 68;

2. Konfliktet politike në mes të forcave byrokratike dhe atye unitariste (për çëllime sunduese), që rezultuan me shkarkimin e Rankoviqit - në plenumin e Brioneve 1966;

3. Debatet e nxehta publike për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963 dhe avansimin e statusit të Kosovës në republikë;

4. Dyftyrësia e Fadil Hoxhës;

5. Demonstratat studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare

6. Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren, në Therandë (ish - Suharekë) dhe në Pejë

7. Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, që i përgatiti demonstratat e nëntorit 1968 ?

8. Si u morë vendimi për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës më 27 nëntor 1968 ?!

9. Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë (ish - Podujevë) ?!

10. Demonstrata në Prishtinë;

11. Demonstrata në  Ferizaj;

12. Demonstrata në  Gjilan;

13. Demonstrata në Besian (ish-Podujevë)

14. Çfarë masash politike propozoi Veli Deva ndaj organizatorëve të demonstratave ?!

15. Kush i gjykoi e denoi në „emër të popullit“ organizatorët e demonstratave?

16. Si u organizuan demonstratat e dhjetorit 1968 në Tetovë?

17. Kush u denua për organizimin e demonstratave në Tetovë?

18. Përfundim.

 

 

 

Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare

në ish - Jugosllavi, në periudhën 1946 - 1968

 

     Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u definua si njësi autonome territoriale - administrative brenda Serbisë e quajtur: ”Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)”. Dhe, ky bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë qe vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve të ndarë nga Shqipëria londineze, për faktin se kompaktësisë gjeografike të Kosovës iu shkëputën trevat etnike  shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi por  edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ku shqiptarët ishin shumicë. Akti më i lartë juridik-kushtetues i QAKM’s ishte statuti, i cili duhej të ishte në pajtim me Kushtetutën e RFPJ dhe atë të Sërbisë. Pas aneksimit të Kosovës (Republikës së Sërbisë) dhe pas sanksionimit të statutit të QAKM’s, shteti jugosllav e vazhdoi politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve në  çdo sferë të jetës. Në të gjitha dokumentet kushtetuese federative dhe republikane, nga viti 1946 deri në vitin 1963, statusi i gjuhës shqipe, ashtu si statusi i autonomisë së Kosovës, erdhi duke u rrudhur dhe në këtë kontekst e gjithë jeta private, shoqërore e politike e shqiptarëve ishte vënë nën kontrollë të plotë të UDB-së, e cila kishte hapur rreth 120 mijë dosje për shqiptarët. Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë (neni 1), ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome (neni 111), ndërsa shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare” me këtë Kushtetutë u definuan si ”kombësi”. Kjo Kushtetutë nuk kishte sjellur ndonjë ndryshim esencial në trajtimin e shqiptarëve, por megjithatë sinjalizonte ndryshime që mund të bëheshin në të ardhmen.

 

Konfliktet politike në mes të forcave

 byrokratike dhe atye unitariste

 

     Shqiptarët gjatë periudhës 1948-1966 (që në popull quhej si koha e Rankoviqit), u përballën me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Krahu shovinist serb, i drejtuar nga Aleksandër Rankoviqi, sekretar i Komitetit Qëndror të LKJ-së, ministër i Punëve të Brendshme  dhe nënkryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, gjatë kësaj periudhe pushtetin e vet të dhunës mbi shqiptarët e ushtroj nën ombrellën e kryetarit J.B.Tito. Asokohe A.Rankoviqi, bënte politikën e kuadrove partiake e shtetërore në të gjitha republikat e posaqërisht në Serbi dhe mbikëqyrte të gjitha institucionet partiake, shtetërore dhe ushtarake, madje ai mbikëqyrte edhe punën e jetën private të kryetarit të shtetit e të Partisë -Titos.

 

J.B.Tito dhe A.Rankoviqi

 

    Së këndejmi, në fillim të viteve të 60-ta kur kreu shtetëror jugosllavë nisi një reform ekonomike në shkallë vendi, për shkak të pabarazisë ekonomike lindën kundërshtimet e para ndërmjet republikave, të cilat shumë shpejt u shndërruan edhe  në konflikte të hapura politike. Kjo situatë e rëndë u shpërfaq  në disa mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të LKJ-së, të zhvilluara në nëntor të vitit 1965 e shkurt të vitit 1966. Pushtetarët serb, që me kohë kishin zënë pozita sunduese politike në federatë (UDB, ushtri, polici e në aparatin burokratik), meqë  këtë reformë ekonomike me kërkesat e saj decentralizuese, e shihnin si formë  të avancimit të Sllovenisë  e Kroacisë dhe si një rrezik për dobësimin hegjemonist të tyre, atëherë u vunë në lëvizje për t´iu kundërvënë reformave të tilla.

    Në këto zhvillime politike u krijuan dy forca rivale: forcat burokratike decentralizuese në krye me Titon dhe ato unitarise serbe në krye me Rankoviçin. Për t´i sfiduar forcat unitariste serbe në radhët e pushtetit, Titoja në qershor 1966 në mbledhjen e KE të KQ të LKJ’së formoj një komision të posaqëm, për të shqyrtuar veprimtarinë e aparatit të Sigurimit të Shtetit (UDB’së), që drejtohej nga Aleksandër Rankoviç. Dhe, në Plenumin e IV të KQ të LKJ’së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, fuknsionarët më të lartë të UDB’së si A.Rankoviç, Svetisllav Dolasheviç... akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën, se nëpërmjet të rrjetit të gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre në organizatat punuese e madje edhe në parti kishin synuar të vendosnin kontrollin mbi njerëzit e thjeshtë deri tek udhëheqësit më të lartë politik në vend, duke përfshirë këtu edhe vetë Titon. Ky Plenum rezultoi me dorëheqjen e Rankoviqit prej detyrave të partisë dhe të UDB-së, ndërsa në mbledhjen e dhomave të Kuvendit federativ, më 14 korrik 1966 ai dha dorëheqje si deputet dhe nënkryetar i RSFJ’së.

     Në tetor të atij viti KQ i LKJ’së e përjashtoi A.Rankoviçin nga LKJ’ja, dhe pasi ka filluar një proces gjyqësor kundër tij dhe bashkëpunëtorëve tjerë është ndërpre, për shkak të numrit të madh të njerëzve, ndër ta shumë personalitete të larta politike, që ishin përfshirë në veprimtarinë kriminale të organeve të UDB’së. Denimi verbal i Rankoviçit, duke u ngarkuar me përgjegjësi për çrregullime serioze në shërbimin e Sigurimit të Shtetit, më shumë ishte një taktikë dinake e J.B.Titos, sepse ai me kohë i dinte të gjitha deformimet që ndodhnin në organët e UDB’së. Në Plenumin e Brionit nuk u tha asnjë fjalë për arsyet e vërteta të shkarkimi të Rankoviçit, pra për kundërshtimin e tij ndaj Reformave ekonomike e ndaj sistemit të vetadministrimit ,sepse fajësimi për shkeljet e shpërdorimet e rënda të përditshme të organeve të UDB-së, ishte një akuzë, e cila nga të gjitha shtresat e popullsisë pranohej më lehtë dhe ngjallte kundër tij një revoltë shumë më masive se sa të denoncojë kundërshtimet e tij ndaj Reformës ekonomike apo vijimsinë e kursit të vetadministrimit, ku iniciatorë ishte vetë Tito dhe grupi i tij. 1

     Në kuadër të fushatës që ndërmori J.B.Tito për të goditur Rankoviçin, një vend të posaqëm kishin edhe shqiptarët. Shkarkimi i Rankoviçit dhe ithtarëve të tij nga postet e rëndësishme shtetërore e partiake, ndonëse ishte goditje serioze për regjimin e egër policor në Jugosllavi, njëherësh vinte në dukje edhe kontradiktat ndërnacionale dhe luftën e ashpër që po zhvillohej për pushtet në gjirin e udhëheqjes së saj. Brenda politikës koniunkturale, për të vendosur një ekuilibër të ri midis klaneve... kreu i PKJ (më pas LKJ’së) J.B.Tito filloi t´u ”buzëqesh” edhe shqiptarëve. Si fillim, pati kujdes të fshinte nga kujtesa popullore krimet e bëra prej vetë atij dhe Rankoviçit, dhe në diskutimet publike për “denoncimin” e veprimtarisë së klanit rankoviçian, u përpoq që ta thejë kompleksin e inferioritetit që u ishte imponuar shqiptarëve.

 

Debatet e nxehta publike për ndryshimin e

kushtetutës vitit 1963 dhe avansimin e

statusit të Kosovës në Republikë

 

     Në këto rrethana për shqiptarët u krijua një klimë paksa më e relaksuar politike dhe duke e shfrytezuar këtë krizë të krijuar, një pjesë e intelegjencës shqiptare dhe disa segmente politike filluan të flasin hapur për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në arsim, kulturë dhe në fusha tjera të jetës politike e shoqërore. Këto hapsira lirije u bënë edhe më të mëdha në vitin 1967, pas fillimit të debatit publik për amandamentet e reja që do të ndryshonin Kushtetutën e RSFJ-së, kushtetutat e republikave dhe statutet e krahinave autonome të vitit 1963. 

   Në gamën e gjerë të diskutimeve rreth këtyre amandamenteve, në Kosovë nga dita në ditë problemi i pazgjidhur kombëtar u bë mbizotrues. Për pozitën kushtetuese të Kosovës, më 14 korrik 1967 dhoma krahinore e Kuvendit Popullor të KA të Kosovës vendosi formimin e ”Komisionit për studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe plotësimet e Statutit”. Me këtë rast Kryetar i këtij Komisioni u zgjodh Fadil Hoxha - kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës. Ky komision hartoi ”projektin e propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të KA Kosovës”, në konsultim edhe me Komisionin kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe atë të Serbisë. Ky “projekt” më 22 prill 1968 iu dorëzua KE të KK të LK të Kosovës dhe në diskutimet që pati, u vunë në dukje shumë pasaktësi që kishte në Kushtetutën ekzistuese (federative e atë republikane) të vitit 1963, lidhur me pozitën e KA të Kosovës. Në verën e vitit 1968 diskutimet për ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën federative dhe në atë republikane të v.1963, lidhur me pozitën që duhej të kishte KA e Kosovës, u zhvilluan edhe në aktivet politike komunale të LK’së. Debati i parë u zhvillua në Gjakovë më 18-20 gusht 1968, për të vazhduar pastaj në Pejë, në Prishtinë, në Deçan, në Gjilan, në Gllogovc, në Lipjan, në Podujevë, në Prizren etj.

     Në këto aktive u kërkua që Kushtetuta federative të garantonte të drejtën e vetvendosjes së shqiptarëve, ashtu si kombet tjera të Jugosllavisë; që Kosova të ishte njësi federale d.m.th republikë; që si ligj themelor i krahinës të ishte Kushtetuta e jo Statuti; që në dhomën e kombeve Kosova të kishte 20 deputetë, sikundër dhe republikat e tjera; që të zyrtarizohet përdorimi i simboleve kombëtare; që emri i krahinës të ndryshohet nga Kosovë - Metohi në Kosova - Kosovo; që Kosova të ketë gjyqin e vet suprem dhe kushtetues dhe të jetë i lidhur me gjyqet respektive në nivel të federatës; që të sigurohet barazia e gjuhës shqipe në nivel federativ; që në kushtetutën federative populli shqiptar të mos emërtohej në mënyrë fyese ”shiptari” por ”albanci”; që të precizohej në këtë kushtetutë e drejta për riatdhesim jo vetëm për pjestarët e kombeve, por edhe për pjestarët e kombësive etj. 2

   Tubimeve të tilla publike, paraprakisht i ndihmuan edhe tri ngjarje të rëndësishme historike, të cilat tek shqiptarët ringjallën dinjitetin dhe krenarinë  kombëtare:

 - Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit  të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, ku morrën pjesë studjues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë; 3

 - Konsulta e njësimit të gjuhës Shqipe e mbajtur më 22 - 23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri  gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”. 4

 - Manifestimet e shumta, të mbajtura me rastin e 90 vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

     Meqenëse kërkesa që Kosovës t´i njihet  statusi i Republikës, shpejt u përqafua nga poulli shqiptar dhe u bë kërkesë gjithëpopullore, çarqet shoviniste serbe për ta penguar këtë trend të ngjarjeve, më 31 gusht 1968 në një mbledhje të zgjeruar të  kryesisë së Komitetit Ekzekutiv Krahinor të mbajtur në Prishtinë, gjykuan ashpër kërkesën që Kosova të bëhet Republikë. Në konkluzionet e miratuara në këtë mbledhje, nën presionin e serbëve u vendos, që ”në Kosovë nuk duhej të shtrohej kërkesa për republikë e vetëvendosje” dhe të ndalohen diskutimet për këtë çështje. Pavarësishtë nga këto vendime, zhvillimet e diskutimeve në aktivet politike të komunave të kosovës treguan qartë se aspirata e shqiptarëve për republikë ishte e fuqishme.

     Alternativa e Republikës së Kosovës u shtrua edhe në një takim të delegacionit shqiptar që pati me Titon dhe Kardelin në tetor 1968, mirëpo Titoja (pavarësisht që kjo kërkesë kishte dalur nga tubimet e gjera të popullit shqiptar) në mënyrë diplomatike e kundërshtoj alternativën e republikës, duke deklaruar se ”republika nuk është shkop magjik e as i vetmi faktor që mund t´i zgjidh të gjitha problemet”, dhe konkludoi  se ”zgjidhja e statutit të Kosovës dhe sigurimi i të drejtave të plota të krahinës duhet të realizohet brenda kuadrit të RS të Serbisë! 5 Me këtë ”sugjerim” Titoja i mbylli diskutimet në rrugë legale për statusin e republikës.

 

Dyftyrësia e Fadil Hoxhës

 

   Kundërshtimi i kreut jugosllav, i sinjalizoi qartë strukturat politike në Kosovë, për luftimin e opcionit të Republikës me të gjitha mjetet. Burokracia politike shqiptare, e cila deri në vitin 1966 qe zbatuese e verbët e politikës shoviniste të Rankoviqit, në këto rrethana për të dëshmuar lojalitet dhe basnikri të plotë ndaj politikës së reklamuar të Titos, për Socializmin Vetqeverisës, për vëllazërim’bashkimin e plotë e të slloganeve të tjera, doli hapur kundër kërkesës për Republikë.

 

Fadil Hoxha

 

     Dy qëndrime të Fadil Hoxhës (Kryetar i Komisionit) duket se e vërtetojnë këtë  përfundim. Më 22 prill 1968 në mbledhjen e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës F.Hoxha deklaron: ”Gjatë disa mbledhjeve të zhvilluara në Beograd, unë kam thënë se mospranimi i këtyre kërkesave (Kërkesa republikë - vërejtja ime) dhe propozimeve të tjera, të cilat sipas mendimit tonë janë shumë realiste dhe të domosdoshme do të na detyrojnë të kërkojmë mënyra tjera për të gjetur zgjidhje”. Ndërkaq, në tetor të atij viti, në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës ai thekson: ”Ne nuk jemi  të orientuar për republikën. As Komisioni, as faktorët tjerë politikë të Kosovës, të cilët mbi vete e kanë përgjegjësinë e plotë, e as faktorët tjerë jashtë Kosovës, nuk janë të orientuar për krijimin e republikës”! 6

     Me këto veprime, Fadil Hoxha dhe përgjithësisht politikanët shqiptar kanë dëshmuar qëndrimet e tyre të dyzuara, pavendosmërinë për t´i tejkaluar kornizat e autonomisë, dhe për t´u  përballuar me guxim karshi presionit serb e jugosllav, në mënyrë që të zgjidhet për momentin çështja kombëtare nëpërmjet satusit të republikës. Fushata antirepublikë e zhvilluar nga strukturat autonomiste nuk u mirëprit në popull, e veçanërisht nga intelektualë e studentë, që vepronin në kuadër të organizatave politike ilegale të kohës. Deri në vitin 1968, ndonëse të gjitha grupimet politike ilegale kishin si synim të vetin - çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, pa hequr dorë nga nga ky qëllim, do të angazhohen edhe për jetësimin e opcionit të Republikës, të përfshirë këtu Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe kjo u konsiderua si  shkalla e parë për  realizimin e bashkimit kombëtar.

 

Demonstratat studentore të vitit 1968

në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare

 

    Ndonëse viti 1968 njihet si vit i lëvizjeve studentore në Evropë, ku universitetet më të njohura të Francës, të Gjermanisë dhe të Anglisë u përfshinë në valën e trazirave studentore të së”majtës së re”,megjithatë ato nuk reflektuan aspak tek lëvizja studentore shqiptare e Kosovës,për faktin se lëvizja studentore evropiane kishte karakter social,ishte lëvizje shoqërore dhe synonte një rend më të mirë shoqëror, ndërkohë që lëvizja studentore e Kosovës kishte karakter kombëtar, karakter të rezistencës kundër një robërie të egër shekullore. Në qershor 1968 shpërthyen demonstratat studentore edhe në  Beograd,të cilat ndonëse u përpoqën të manifestonin jehonën e demonstratave studentore të Evropës,ato u përshkuan me kërkesa ultranacionaliste e shoviniste. Në këto rrethana u planifikuan demonstratat studentore në Kosovë.

 

Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren,

në Therandë (ish - Suharekë) dhe në Pejë

 

Demonstrata në Prizren

 

   Në Kosovë demonstratat e inicuara nga grupimet e organizuara studentore, fillimisht shpërthyen në tetor, vazhduan në nëntor dhe përfunduan në dhjetor 1968 në Tetovë. Demonstrata e parë, pas Luftës së Dytë Botërore, u organizua më 6 tetor 1968, në qytetin e Besëlidhjes shqiptare në Prizren. Vatër kryesore e saj ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike ”Xhevdet Doda” në këtë qytet. Në organizimin e demonstratës u shquan studentë, nxënës e arsimtarë të Gjimnazit:

   1. Meriman Braha,

   2. Isa Demaj,

   3. Pashk Laçi,

   4. Haxhi Maloku,

   5. Zymer Neziri,

   6. Gjergj Camaj,

   7. Shpresë Elshani,

   8. Simon Kuzhnini,

   9. Rafet Rama,

   10. Lemane Braha,

   11. Pjetër Dreshaj,

   12. Isë Morina etj,

   ndërsa u përkrahën edhe nga intelektualë, zejtarë të qytetit dhe fshatarë të fshatrave përreth. 7

    Demonstruesit e grumbulluar në afërsi të SHLP - ”Xhevdet Doda”, tek vendi Qafa e Pazarit (tani Qafa e Kishës), të prirë nga flamuri kombëtarë, që mbanin lartë vajzat Shpresë Elshani dhe Lemane Braha, marshuan në drejtim të sheshit ”Shadërvan” dhe kaluan rrugës kryesore duke brohoritur parullat:

   - ”Rroftë flamuri kuq e zi!”,

   - ”Rroftë populli shqiptar!”,

   - ”Duajm Universitet!”,

   - ”Duam barazi!” dhe

   - “Kosova Republikë!”.8

    Masa e demonstruesve që tashmë kishte arritur në rreth 3 mijë vetë, pas paraklalimit rrugëve të qytetit u grumbulluan në sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

 

     Para demonstruesve në shesh, organizatorët: Meriman Braha, Isa Demaj e Zymer Neziri shpalosën Flamurin Kombëtar, ndërsa Haxhi Maloku e mbante në duar me krenari. Pasi iu bënë nderime drejtuesve të LSHP-së, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, para shtatoreve të tyre, Pashk Laçi lexoi edhe një referatë ( të përgatitur nga Zymer Neziri etj).,  ku u paraqitën synimet e popullit shqiptar, që të jetojë i lirë si popujt e tjerë; t´i gëzojë të gjitha të drejtat ashtu si popujt tjerë në Federatë; të flasë lirisht kudo gjuhën e vet shqipe dhe t´i përdorë lirisht simbolet e veta kombëtare; të shkollohet në gjuhën amtare nga fillorja e deri në universitet; të ketë punë edhe për shqiptarët, në administratë të përdoret gjuha shqipe etj. 9 Masa e tubuar për të manifestuar kërkesat për barazi kombëtare, nga sheshi i lidhjes, marshuan rrugëve të qytetit për t´u kthyer  mëpastaj sërish në sheshin e selisë së LSHP-së dhe nga aty u shpërndanë të qet. Gjatë tërë kohës, demonstruesit ishin nën vëzhgim të forcave të mëdha policore, të cilat për të mos eskaluar situata në përmasa të paparashikueshme, nuk intervenduan për shpërndarjen e tyre. Pas kësaj demonstrate u arrestuan disa  nga organizatorët  e saj, të cilët  pasi u mbajtën  2-3 javë në izolim u liruan, me qëllim që të mos i jepet publicitet  kësaj ngjarje të madhe historike. 10

 

Demonstrata në Therandë

 

    Një demonstratë e ngjashme me këto kërkesa, do të organizohet edhe në Therandë (ish’Suharekë). Pjesëmarrësit aktivë dhe organizatorët e demonstratës së Prizrenit: Isa Demaj, Haxhi Bajraktari dhe Isa Morina, vendosën që në Therandë të mbahet demonstratë më 8 tetor 1968, pikërisht në ditën e martë, kur ishte ditë tregu në këtë qytet. Përgjegjësinë për organizimin e demonstratës, u vendos ta ketë Haxhi Bajraktari, mësues në shkollën fillore të fshatit Nishor. Ndonëse në vitin 1968, në Therandë, funksiononte paralelja e ndarë e Shkollës Normale të Prizrenit ku përgjegjës i kësaj shkolle ishte Isak Bajraktari, Haxhi Bajraktari me Isakun u morën vesh që në mesditën e 8 tetorit, të gjithë nxënësit të dilnin të organizuar në demonstratë. U vendos që në demonstratë të brohoriteshin parullat: "Kushtetutë - Republikë!", "Duam Universitetin e Prishtinës!" dhe "Rroftë flamuri!". Po ashtu, u vendos që flamurin ta përgatiste Haxhi Bajraktari. Ky atdhetar i ri do ta vizatojë me përkushtim të madh, me tush, shqiponjën në pëlhurën e kuqe gjatë tërë natës, duke ia mbajtur llambën e vajgurit mbi kokë për t`i bërë dritë e motra Fatimja.

 

Isa Demaj

     Të martën, më 8 tetor 1968, nxënësit e Shkollës Normale ishin të rreshtuar para derës së shkollës. Nxënësi më i rritshëm dhe më i zhvilluar, Osman Gega, nga Studençani, u caktua të bartë flamurin kombëtar në ballë të demonstruesve. Kolona me nxënës dhe me arsimtarë u drejtua për në rrugën kryesore të qytetit. Theranda gumëzhinte nga njerëzit që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e rrethinës, në ditën e tregut. Pa u hamendur fare, pothuaj të gjithë iu bashkëngjitën normalistëve dhe brohoritën parullat "Republikë - Kushtetutë!". Për disa orë, demonstruesit marshuan në rrugën kryesore të Therandës duke kënduar pandërprerë këngë për flamurin. Më në fund demonstruesit në qendër të qytetit në një shtyllë të lartë të elektrike ngritën flamurin Kombëtar. Duke parë se situata po dilte nga kontrolli dhe numri i demonstruesve po shtohej edhe më tutje, policia do të tentojë të rrëmbejë flamurin kombëtar nga shtylla ku ishte vendosur. Në këtë punë, policia do të ndihmohej edhe nga bashkëpunëtorët e UDB’së nga radhët e shqiptarëve. Por, aty pranë flamurit ishte formuar një rreth i burrave të vendosur që assesi nuk lejonte policinë të largonte flamurin nga shtylla ku ishte vendosur. Si në një roje nderi, flamurin e mbronin: Miftar Bajraktari, Veli Gashi me tre djemtë e vet, Nezir Gashi, Rrahman Kryeziu, etj. Ata, me trupat e tyre, e kishin mbështjellë vendin ku valonte flamuri ynë kombëtar. Pas një kohe të qëndrimit të demonstruesve në qendër të qytetit, ata, me flamur në ballë të kolonës, përsëri vazhduan të defilojnë nëpër rrugët e Therandës, e cila tashmë ishte nën kontrollin e demonstruesve. Ndonëse ishte gatishmëria e qytetarëve që të demonstrohej edhe më tutje, megjithatë, organizatorët e demonstratës vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin. Ata ishin të bindur se, në këtë mënyrë, ishte shprehur publikisht dëshira dhe vullneti i shqiptarëve të Therandës, si edhe të tërë Kosovës, që të njihej statusi i Republikës së Kosovës, të lejohej përdorimi i lirë i simboleve kombëtare shqiptare, të hapej Universiteti i Prishtinës, etj. 11

 

Demonstrata në Pejë

 

     Demonstrata e tretë u mbajtë më 19 tetor 1968 në Pejë, ku poashtu në këtë datë ishte ditë tregu dhe prania e qytetarëve ishte më e madhe se ditëve tjera.

   Organizatorë të demonstratës ishin:

   1. Isa Demaj,

   2. Zymer Neziri,

   3. Sylë Kuçi,

   4. Ramadan Blakaj,

   5. Xhemail Gashi etj, të  cilët për të qenë pjesmarrja sa më masovike në demonstratë shkruan dhe shpërndanë një thirrje drejtuar popullit. Ditën e caktuar, në orën 14 nxënësit dhe studentët e Shkollës së Lartë ekonomike-Komerciale në Pejë, u grumbulluan në oborrin e shkollës Normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë, afër Pejës, dhe ishte buzë rrugës Pejë - Mitrovicë. Pjesëmarrës të fillimit ishin nxënësit e Shkollës Normale dhe të Shkollës Bujqësore, si dhe disa arsimtarë. Nisja u bë me flamur kombëtar përpara kolonës në krye, në drejtim të qytetit. Bartësit e flamurit ndërroheshin me radhë. Bartës i parë ishte Demë Mulliqi, normalist. Në pika të rrezikshme bartës ishin edhe Ramadan Blakaj, Zymer Neziri dhe Xhemajl Gashi.

      Gjatë rrugëtimit, demonstruesit u përpoq t´i ndalonte Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Rinisë së Pejës Lekë Vuksani, por nuk pati sukses. Një pjesë e demonstruesve, ndërkohë shkuan në tregun e qytetit dhe ju bënë thirrje tregëtarëve që t´i bashkohen demonstratës. Me këtë rast tregu u boshatis dhe të gjithë u solidarizuan me studentët dhe nxënësit. Në ato momente numri i demonstruesve arriti në mijëra  veta. Kjo masë demonstruesish në orën 15 u grumbulluan në sheshin e qytetit, përpara Kuvendit të Komunës dhe aty mbi çoshkun e “Borbës dhe Rilindjes” (që ishte përskaj ndërtesës së Komunës) përreth 20 minuta e mbajti një fjalim S.Kuçi që e kishte përgatitur paraprakisht Zymer Neziri. Më pastaj edhe 2-3 të rinjë tjerë hipën përmbi çoshk dhe brohoritën parulla për: flamurin, për Kushtetutën, për Republikën, për universitetin etj.,12 dhe masa e tubuar me ovacione të vazhdueshme i përsëriste këto parulla dhe këndonin këngët: "Kur u hap kushtrimi n`Kosovë", "Lidhja e Prizrenit", "Oj Kosovë, mos thuaj mbarova", "Këngë për Skënderbeun", "Mori Shkodër, moj mizore", "Këngë për Ali Pashë Tepelenën", etj. Që nga fillimi i kolonës së demonstruesve, policia, disa herë, u përpoq ta rrëmbente flamurin nga duart e çelikta të rinisë. Herën e parë u përpoq ta largonte nga kulmi i shkollës "Ali Kelmendi", por kjo u pengua nga nxënësit. Po ashtu, edhe disa herë gjatë marshimit të kolonës, policia u përpoq ta merrte flamurin, por pa sukses.

     Pas afër katër orësh demonstrimi nëpër qytetin e Pejës, me flamurin kombëtar në ballë, si dhe duke i brohoritur Kosovës, Republikës së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të demonstratës, flamuri kombëtar përsëri u vendos mbi kulmin e shkollës normale "Ali Kelmendi". Pas përfundimit të suksesshëm të demonstratës në Pejë, filloi ndjekja e organizatorëve nga UDB’a dhe Komiteti. Fillimisht u larguan nga puna në arsim:  Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi dhe të Zymer Neziri, ndërsa më pastaj u burgosën dhe me këtë rast: Ramadan Blakaj u dënua me 15 ditë burg, Xhemajl Gashi me 30 ditë dhe Zymer Neziri po ashtu me 30 ditë burg. Me dënim me burg u dënua edhe Riza Smaka. 12

     Me demonstratën e Pejës u përmbyllë cikli i parë i demonstratave shqiptare, të cilat pushteti, duke dashur t´i minimizojë ato, organizatorët e saj nuk i dënoi shumë, përveçse me disa ditë burg për kundërvajtje.

 

       Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, që i

përgatiti demonstratat e nëntorit 1968?

 

Osman Dumoshi

 

     Vazhdimi i demonstratave në muajin nëntor 1968 shënon artikulim më të zëshëm të kërkesës për vetëvendosje të shqiptarëve. Grupin e organizatorëve të demonstratave të nëntorit 68, që do të quhej “Komiteti i demonstratave” e përbënin studentë të fakulteteve të Prishtinës. Anëtarë të këtij grupimi ilegal politik ishin:

 - Osman (Xhemail) Dumoshi, nga Prishtina - student i Fakultetit Teknik dega e Maqinerisë;

 - Adil (Murat) Pireva - nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës, gazetar student me korrespodencë i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;

 - Selatin (Ismail) Novosella - nga Vushtrria me vendbanim në Prishtinë, student i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;

 - Ilaz (Ejup) Pireva - nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës - student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;

 - Xheladin (Jetish) Rekaliu - nga fshati Dobratin i Podujevës, student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;

 - Afrim (Ragip) Loxha - nga Peja, student i Fakultetit Teknik - dega e Maqinerisë;

 - Skënder (Ismail) Muçolli - nga fshati Bajçinë i Podujevës, student i Fakultetit Teknik, dega e Ndërtimtarisë;

 - Skënder (Ibrahim) Kastrati - nga fshati Karaçevë komuna Kamenicës, student i Fakultetit Ekonomik dhe

 - Hasan (Hasan) Dërmaku -nga fshati Shipashnicë, komuna e Kamenicës, student i Fakultetit Filozofik - dega e Historisë. 13

     Bërthama e këtij grupi formohet në qershor 1964, vetëm disa ditë pas zbulimit dhe arrestimit të organizatës atdhetare ”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” LRBSH’së në krye me Adem Demaçin. Ky grup, duke pasur parasysh pasojat e burgosjeve të anëtarëve të LRBSH’së, fillimisht veprimtarinë e tij e përqëndroi në ngritjen ideopolitike, përmes leximit të veprave të ndryshme letrare e historiografike, përmes zhvillimit të debateve për çështje të ndryshme politike dhe pas një periudhe tri vjeçare, në gusht 1967 nis veprimtarinë konkrete në mënyrë të organizuar. Ky grup politik (fillimisht i paemërtuar) me rastin e riorganizimit më 1967, fushëveprimin e vet e përcaktoi duke u bazuar në programin dhe statutin e LRBSH’së, 14 ashtu sikurse të gjitha grupet dhe organizatat tjera të mëvonshme, edhe pse mbanin emra të ndryshëm, programet do t´i kenë të njëjta, të LRBSH’s. Dhe jo rastësisht është thënë se të gjitha organizatat politike ilegale të asaj kohe, ishin vazhdim (transformim) i organizatës së Adem Demaçit.

 

Vendimi për organizimin e demonstratave në

disa qytete të Kosovës më 27 nëntor 1968

 

      Gjatë periudhës gusht 1967 - gusht 1968, kur Kosova dhe viset tjera shqiptare jetonin nën ankthin e debatit publik për ndryshimet kushtetuese, ky grup dhe shumë intelektualë të tjerë atdhetarë u kyqën aktivisht në avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Në mbledhjet e tyre të shpeshta që mbaheshin në shtëpitë e Osman Dumoshit, të Selatin Novosellës dhe të Adil Pirevës, 15 grupi me seriozitetin më të madh i analizonte rrethanat politiko-shoqërore dhe reagimet e pushtetit serbo-jugosllavë dhe të burokracisë politike shqiptare, kundër vullnetit të Shqiptarëve për të qenë të barabart, në kuadër të federatës jugosllave. Në varshmëri me situatën e krijuar, asokohe grupi i studentëve pas një sërë takimesh në fshatrat Lupç i Poshtëm dhe Bajçinë të Llapit dhe zhvillimit të një ankete gojore me të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, hodhën idenë për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës. Gjatë mujave shtator, tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1968 grupi politik i studentëve që tanimë do të emërtohet me emrin ”Komiteti i Demonstratave”,i bëri të gjitha përgatitjet për organizimin e demonstratave.

      Rol  të rëndësishëm në organizimin dhe orientimin politik të demonstratave të nëntorit 1968 kanë luajtur edhe atdhetarët: Ismail Dumoshi 16 dhe Metush Krasniqi, 17 të cilët qëndruan në prapaskenë (me insistimin e Osman Dumoshit) me qëllim që të ruheshin nga burgosja, për të vazhduar aktivitetin e tyre pa u hetuar nga UDB-a. Në një takim të mbajtur më 16 nëntor 1968 në shtëpinë e Osman Dumoshit, ku morën pjesë: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Ilaz Pireva, Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli, është vendosur që më 27 Nëntor 1968 të organizohen demonstrata në disa qytete të Kosovës, si në: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Të pranishmit morën detyra që të përfitojnë sa më shumë nxënës dhe studentë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. 18 Më 16 Nëntor 1968 Adil Pireva ka shkruar edhe një thirrje për demonstratë në vargje me titull: ”Eni në demonstratë”. 19 Në Prishtinë është vendosur që demonstrata të filloi nga Fakulteti Filozofik.

     Pas aktivitetit një javorë, më 23 Nëntor grupi takohet në shtëpinë e Selatin Novosellës, ku marrin pjesë edhe Xheladin Rekalu dhe Hasan Dërmaku dhe secili raporton për “aktivitetin e vet në përgatitjen e demonstratave”. Në këtë takim u vendos gjithashtu që të shkruhen  parollat: ”Duam vetëvendosje”, ”Askush të mos luaj me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjakë do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë” etj, të shumëzohen ato; të shkruhet një  fjalim (që do të lexohet para demonstruesve); të sigurohen  flamujë kombëtar etj. Dhe ky takim rezultoi me detyra konkrete: Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku dhe Adil Pireva morën përsipër që të përpilojnë fjalimin; Skënder Muçolli dhe Ilaz Pireva t´i shkruajnë parollat sipas propozimeve të bëra në mbledhje; ndërsa Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli  u caktuan si roje e atyre që do ta lexojnë fjalimin para demonstruesve. Përveç këtyre detyrave, Osman Dumoshi ka shumzuar edhe këngën ”Poshtë Padrona padrejtësia...” të cilën ua  shpërndau pjesëmarrësve me qëllim që të këndohet gjatë demonstratave. 20

      Me qëllim të koordinimit, Komiteti i demonstratave angazhoi Xheladin Rekaliun dhe Ilaz Pirevën të kontaktojnë me grupin e Podujevës: Hamit Abdullahu, Hakif Sheholli, Sabit Syla, Hasan Shala etj; ndërsa Skënder Kastratin dhe Hasan Dërmakun të kontaktojë me grupin e Ferizajit: Ramadan Hazirin, Ismet Ramadanin, Hasan Abazin.... dhe grupin e Gjilanit: Rexhep Malën, Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj. 21 Në këto takime, grupet u njoftuan edhe me platformën e organizimit të demonstratave.

 

Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968,

në Prishtinë,në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë

(ish -Podujevë) ?! 

 

1. Demonstrata në Prishtinë

 

  Ndonëse masat e rinisë studentore dhe masat e gjera popullore ishin njoftuar për kohën dhe vendin e fillimit të demonstratave, që në orët e para të pasdites, përkundër forcave të mëdha policore të përqëndruara nëpër udhëkryqet kryesore të Prishtinës, ato ishin tubuar nëpër fushat sportive të qytetit, nëpër konviktet e studentëve, nëpë shkolla fillore dhe të mesme si dhe nëpër vende tjera publike, duke pritur çastin e filllimit të demonstratës. Ashtu siç ishte përcaktuar, demonstrata nisi në orën 16 e 55 minuta, para Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Deri në orën 17 masa e demonstruesve u rrit në rreth 8 mijë  veta. 22 Duke qenë në ballë të masës së grumbulluar, organizatorët e demonstratës dhe disa të rinjë me flamuj kombëtar, kolona fillloi marshimin nëpër rrugën: Marshali Tito” 23 në drejtim të qendrës së qytetit.

     Demonstruesit, mbanin në duar shumë transparente me parulla të shkruara si: 

   - ”Duam vetvendosje deri në shkëputje”,

   - ”Poshtë politika kolonialoste ndaj Kosovës”,

   - ”Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”,

   - ”LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”,

   - ”Duam Kushtetutë!”,

   - ”Duam Universitet!”,

   - ”Duam bashkimin e Preshevës... me Kosovën!”,

   - ”Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim!”,

   - ”Askush të mos luaj me fatin tonë!”,

   - ”Në një dorë kazmën, në një dorë pushkën!”... 24

     Para qendrës së studentëve, tash rektorati i Universitetit të Prishtinës, demonstruesit u përballën me kordonin e policisë dhe gjatë përleshjeve masa e demonstruesve e shpërtheu bllokimin. Pas kësaj fitoreje, masa vazhdoi marshimin rrugës krysore duke brohoritur e kënduar këngën: ”Bashkohuni, bashkohuni!... Ejani mblidhuni këtu, këtu, këtu...!” 25 Masa e demonstruesve pas parakalimit nëpër rrugën kryesore, përgjatë ndërtesës së Kuvendit Krahinor, u grumbullua në platonë (sheshin) përpara Tetarit Popullor. Me këtë rast Osman Dumoshi dhe Skënder Kastrati që të dy ideatorë të kësaj demonstrate  u ngjitën  mbi kioskën ”Optika” dhe lexuan një fjalim para masës së tubuar.

 

 

Pamje nga demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë

 

    Masa e demonstruesve leximin e referatit e priti me ovacione duke brohoritur parollat:

   - ”Duam Republikë!”,

   - ”Republikë, republikë!”,

   - ”Duam-vetëvendosje!”,

   - ”Vetëvendosje-vetëvendosje!”,

   - ”Republikë-Kushtetut”,

   - ”Kushtetut-kushtetut!”,

   - ”Duam Universitetë!”,

   - ”Universitet, universitet!”etj. 26

     Masa, me të përfunduar referati, zuri të lëvizte rrugës kryesore drejt Kuvendit Krahinor dhe me këtë rast qyteti buçiste nga brohoritjet për vetvendosje deri në shkëputje, për Republikën e Kosovës, për Kushtetutën, për Universitetin... dhe nga këngët atdhetare:

”Frynë murlani me stuhi

Qielli ç´bubullonte,

Nën flamurin kuq e zi 

Skënderbeu luftonte...”,

”Besa besë, besën ta kam dhënë

për Kosovën jetën ka me dhanë!...”. 27

     Masa e demonstruesve që kishte arritur në disa mijëra vetë, u ndalë para ndërtesës së Kuvendit Krahinor, e cila ishte e rrethuar nga kordonet e policisë të paisur me automatik dhe me helmeta në kokë. Me këtë rast masa kërkonte t´ju fliste Fadil Hoxha ose do të hynin me dhunë në objekt të Kuvendit. 28 Ndërkohë masa e revoltuar brohoriti parulla kundër burokracisë politike si:

   - ”Poshtë burokracia!”,

   - ”Poshtë tradhëtarët!”,

   - ”Poshtë Veli Deva!”,

   - ”Rroftë Klasa punëtore!”,

   - ”Rrofshin minatorët”,

   - ”Rroftë fshatarësia”,

   - ”Rroftë rinia”,

   - ”Poshtë Fadil Hoxha”,

   - ”Rroftë vëllazëria shqiptare”... 29

     Para Kuvendit Krahinor, forca të mëdha policore dhe njësitë e zjarrëfikësve, me qëllim të shpërndarjes i sulmuan demonstruesit me shkopinjë gome e vrushkuj uji, ndërsa demonstruesit iu kundërvunë me gurë të kalldermit. 30 Me këtë rast policia e kishte izoluar një numër demonstruesish afër ëmbëltores ”Pçella” (Bleta), përballë ndërtesës së Kuvendit Krahinor dhe i rrihte pamëshirë me shkopinjë gome e me shqelma. Në ato momente një grup tjetër demonstruesish arritën t´i marrin në duar të veta cisternat e zjarrfikësve dhe me ujin e ftoftë sulmuan policinë dhe i nxorën nga rrethimi demonstruesit tjerë. 31 Policia në këto rrethana tërhiqet dhe gjatë tërheqjes kishte mundur t´i ndajë nga turma disa demonstrues, të cilët edhe i arrestuan. Pas këtyre përleshjeve, ku pati edhe shumë të lënduar nga të dya palët, masa e demonstruesve me buçima këngësh e brohoritjesh, vazhdoi demonstrimin nëpër rrugën kryesore, në drejtim të Fakultetit Filozofik.

     Mbi një tarac përpara ndërtesës së Fakultetit Filozofik (ku u rikthyen sërish demonstruesit) u zhvillua një tribunë popullore. Aty shumë oratorë folën për vuajtjet e popullit shqiptar nën robërinë serbo (jugo)sllave, për krimet që kishin bërë ata, qysh prej vitit 1912 mbi popullin tonë, për historinë e qëndresës shqiptare kundër kësaj robërie mesjetare etj. Më pastaj u nderuan edhe dëshmorët: Shaban Shala e Fazli Gajçevci, si dhe u fol me pietet për simbolin e qëndresës shqiptare Adem Demaçi, i cili atëkohë vuante dënimin prej 15 vjetësh, nëpër kazamatet serbe, së bashku me shumë të burgosur tjerë. Demonstruesit me të dëgjuar emrin e Adem Demaçit filluan ta kërkojnë lirimin e tij nga burgu, duke brohoritur:

   - ”Rroftë Adem Demaçi”,

   - ”Rroftë Kadri Halimi”,

   - ”Duam lirimin e të burgosurve politikë”... 32

    Strukturat e burokracisë plitike për t´i bindur demonstruesit se duhej të shpërndahen, me qëllim të qetësimit të situatës, kishin caktuar Ismail Bajrën për të biseduar me ta. Ai për t´i shqyrtuar kërkesat e shtruara përmes bisedimeve, kërkojë nga demonstruesit që të formohet një Kryesi të tyre, mirëpo masa e tubuar njëzëri ju përgjigjë se ”Të gjithë jemi kryesi!....” 33 të gjithë jemi kryesi!” Kur pushoi së foluri z.Bajra, filloi të buças zëri i demonstruesve për lirimin e shokëve të burgosur, gjatë këtij demonstrimi. Me brohoritjet ”Lironi shokët, lironi shokët”, masa e tubuar nisi marshimin në drejtim të burgut famkeq të Prishtinës. Nga udhëkryqi, përballë shtëpisë së vjetër të mallrave, masa mori rrugën në drejtim të shtëpisë së armatës (APJ) dhe u grumbulluan para hotelit”Avalla”, në afërsi të burgut. Forcat policore për ta shpërndarë masën e tubuar përdori gazin lotësjellës, shkopinj gome dhe armë zjarri. Në ndihmë të policisë me këtë rast kishin ardhur edhe ushtria. Gjatë kësaj përleshjeje nga breshëritë e plumbave që vinin nga banesat e ballkoneve shtetërore,që gjendeshin mbi hotelin”Avalla”, vritet i riu 17 vjeçar Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme teknike në Prishtinë dhe u plagosën shumë të tjerë. 34

     Pas këtij sulmi barbarë nga ana e policisë dhe ushtrisë, masa tërhiqet në mënyrë të çrregullt (kaotike) në drejtim të Kuvendit Krahinor, shkojnë deri te shkolla teknike dhe prej andej marshojne rrugës për t´u kthyer sërish rreth orss 22 të mbrëmjes në oborrin e Fakultetit Filozofik. Gjatë rrugëtimit, masa e revoltuar nga gjakderdhja e shkaktuar, duke brohoritur parullat:

   - ”Gjakatarët-gjakatarët”,

   - ”Barbarët,barbarët”,

   - ”Ja vdekje-ja liri! Më mirë vdekje se robëri”,

   - ”Hakmarrje, hakmarrje”!... i rrotulluan disa automjete dhe me gurë thyen dhjetra vitrina të shitoreve shtetërore. 35

 

Dëshmori Murat Mehmeti

 

     Në sheshin e Fakultetit Filozofik, pasi u nderua me një minut heshtje dëshmori i sapo rënë i lirisë Murat Mehmeti, para masës folën shumë oratorë nga radhët e studentëve, nxënësve, punëtorëve, minatorëve,  fshatarëve etj, të cilët shfryn mllefin e tyre kundër pushtetit titist serbo(jugo)sllavë. Për të qetësuar studentët, me kërkesën e strukturave pushtetore, para masës paraqitet edhe prof.Mark Krasniqi, i cili u bëri thirrje demonstruesve që të shpërndahen, por masa nuk e përfilli kërkesën e tij. Duke brohoritur parulla tani më të njohura dhe duke kënduar këngë të ndryshme patriotike, një pjesë e demonstruesve qëndruan në platonë e Fakulteti Filozofik, deri në orën 3 të mëngjesit, të datës 28 nëntor 1968. 36 Atë mëngjes kur populli shqiptar ishte përgatitur ta festoj ditën e Flamurit, Prishtina ishte vënë në një shtetërrethim të plotë ushtarako-plicor!

 

2. Demonstrata në Ferizaj

 

    Demonstrata e dytë për nga fuqia dhe intenziteti u zhvillua në Ferizaj, në orët e para të mesditës së 27 nëntorit 1968. Atë ditë ndonëse ishte ditë tregu në qytet, masa e demonstruesve, të cilën e përbënin nxënës të shkolllës së mesme ”Hivzi Sylejmani”, studentë, punëtorë e fshatarë, lëvizi nga shumë drejtime për në qendër të qytetit... Afër shtëpisë së kulturës, kolonës së demonstruesve u doli përpara Sinan Sahiti, kryetar i Komitetit Komunal të LK të Feizajt, i cili kërkojë  që të mos marshojnë në drejtim të qendrës së qytetit, por masa nuk e dëgjon dot. 37 Në këtë situatë një kordon i policisë përpiqet t´i pengojë demonstruesit, por nuk patën sukses. Para demonstruesve (mbi 3 000 veta) të cilët u mblodhën në platonë para ndërtesës së Kuvendit Komunal, mbajti një fjalim veprimtari Ismet Ramadani. Gjatë tërë kohës masa e tubuar brohoritën parulla:

   - ”Duam vetëvendosje!”,

   - ”Kosova Republikë!”,

   - ”Barazi-Liri!”,

   - ”Duam Kushtetut!”,

   - ”Duam Universitet!”…

     Ndërkohë forcat policore të ndihmuar nga ekipi i zjarëfikësve, intervenuan për t´i shpërndarë demonstruesit, mirëpo masa e revoltuar u mbrojtën, duke hedhur gurë dhe gjësende tjera të forta në drejtim të tyre. Meqë përleshjet qenë të ashpra u lënduan dhjetra demonstrues dhe disa policë. Demonstrata në Ferizaj përfundojë rreth orës 16 dhe zgjati katër orë. Pas shpërndarjes të saj, shumica e pjesëmarrësve shkuan për t´ju bashkuar demonstratës në Prishtinë. 38

 

3. Demonstrata në  Gjilan

 

     Për organizimin e demonstratës në Gjilan, më 10 nëntor 1968 dy studentë të Komitetit të Demonstratave takohen me Rexhep Malën, Fatmir Salihun dhe Irfan Shaqirin, në këtë qytet. Në takim u caktuan detyrat organizative dhe teknike, të cilat duhej të kryheshin për mbarëvajtjen e demonstratës dhe masovizimin e saj. 39 Që nga 21 nëntori grupi organizativ është takuar për çdo ditë në një strehimore (bunker) afër shtëpisë së Fatmir Salihut dhe aty kanë përgatitur parullat që do të  barteshin në dorë nga demonstruesit... 

     Më 26 nëntor 1968 në shtëpinë e Rexhep  Malës mbahet mbledhja e fundit e grupit dhe aty finalizohet mbarëvajtja e demonstratës. Në këtë demonstratë u dalluan nxënësit dhe studentët:

   1. Vahide Hoxha-Braha,

   2. Mynivere Kastrati,

   3. Vildane Ahmeti,

   4. Fetije Bajrami,

   5. Zija Shemsiu,

   6. Fazli Abdullahu,

   7. Xhavit Dërmaku,

   8. Njazi Korça,

   9. Ilmi Ramadani,

   10. Shemsidin Kastrati etj. 40

     Demonstrata filloi në orën 12:05 dhe parakalimi u bë nga shkolla e mesme ekonomike deri të stacioni i autobusve. Në ballë të demonstruesve, numri i të cilëve arrinte në rreth 2 mijë vetë, ishin organizatorët e demonstratës dhe flamuri kombëtar që e mbante në duar Vahide Hoxha’Braha, ndërsa Mehmet Emini e mbante flamurin jugosllavë. Gjatë rrugëtimit demonstruesit brohoritën parullat, të cilat edhe i mbanin në duar të shkruara në transparente:

   - ”Duam Vetëvendosje”,

   - ”Duam Kushtetutë”,

   - ”Kushtetutë-Republikë”,

   - ”Duam Universitet”,

   - ”Duam barabarësi të gjuhës” etj. 41

     Me qëllim të parandalimit, para masës së demonstruesve dolën aktivistët e Kuvendit komunal të LK të Gjilanit, mirëpo masa kishte marrë hovë dhe demagogjitë e tyre nuk mundën ta ndalin dot marshimin nëpër qytet. Meqë strukturat shtetërore dështuan, kundër demonstruesve paqësorë intervenuan forcat policore të paisur me shkopinj gome. Me këtë rast edhe demonstruesit ju kundërvunë me gurë dhe gjatë përleshjeve u lënduan shumë demonstrues por edhe disa “ruajtës të rendit”. Pas 4 orësh, demonstruesit u shpërndanë, ndërsa shumica prej tyre udhëtuan për të marrë pjesë në demonstratën e Prishtinës. 42

 

4. Demonstrata në Besian (ish’Podujevë)

 

     Edhe demonstrata e Podujevës u zhvillzua në orët e paradites, të datës 27 nëntor. Masa e demonstruesve fillimisht u mblodhë në sheshin e qytetit, në qendër ku përfshihej edhe hapsira e parkut. Në ballë të demonstruesve (ku u bashkuan edhe fshatarë që kishin ardhur për të bërë treg) valonte flamuri kombëtar, i qëndisur nga Elhame Shala-Bogujevci. Demonstruesit hodhën përulla për vetëvendosje, për kushtetutë dhe për barazi kombëtare. Para demonastruesve folën: Sabit Syla - student nga fshati Obraqë i Podujevës, Hasan Shala (vëllai i dëshmorit Shaban Shala) nga fshati Letancë etj. 43 Meqenëse demonstruesit nuk u provokuan nga policia, demonstrata përfundojë e qet pa asnjë eksces. Më pas shumë llapjanë do t´i bashkohen edhe demonstratës së madhe në Prishtinë.

 

Çfarë masash politike propozoi Veli Deva ndaj

organizatorëve të demonstratave?!

 

 

    Ndonëse demonstratat e nëntorit, përmes agjensive telegrafike botërore, shtrypit,radios dhe televizionit jehuan fuqishëm, kryetari  J.B.Tito ndërmori një propagandë intensive për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar për këto ngjarje. Në intervistat që dha për gazetarët vendas e të huaj, në Jajcë (ku ishte duke festuar 29 nëntorin) Titoja me kujdes i anashkalojë kërkesat themelore të demonstratave për vetëvendosje e republikë dhe mundohej t´i paraqiste ato si trazira të zakonshme studentësh, të cilat sipas tij nuk duheshin dramatizuar e hiperbolizuar dhe nuk duhej t´u jepej rëndësia që nuk e kishin. 44

    Megjithatë këto demonstrata do të bëhen objekt shqyrtimi dhe analize në të gjitha strukturat partiake e shtetërore të fedratës, të Serbisë dhe të Kosovës dhe kundër tyre do të organizohet një fushatë e egër shoviniste. Qysh në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme, të mbajtur në mbrëmjen e 27/28 nëntorit 1968, në Prishtinë, Komiteti Krahinor - demonstratat e asaj dite në Prishtinë e gjetiu i cilësoi si ”armiqësore të organizuara nga elementët armiqësorë, kundër rendit kushtetues dhe shoqërisë socialiste vetëçeverisëse, kundër platformës ideologjike të LKJ’së dhe kundër vllaznim’bashkimit të kombeve dhe kombësive tona”. 45

     Ndërkaq kërkesat e demonstruesve u kualifikuan si ”platformë e fuqive më reaksionare në shoqëri” dhe se demonstruesit ishin të lidhur” me agjenturat e huja..., me mbeturinat e forcave reaksionare shoviniste e deri te devijuesit e ndryshëm brenda Lidhjes së komunistëve”.46 Në këtë mbledhje ende pa u ditur zhvillimet e demonstratave dhe pa u analizuar mirë shkaqet që quan në shpërthimin e tyre, Veli Deva, kryetar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës, kërkojë që “të merren masa energjike kundër nxitësve të çrregullimeve... të qërohen hesapet me nxitësit e mërisë nacionale dhe veprimtarisë armiqësore”. 47

 

Kush i gjykoi - denoi në „emër të popullit“

organizatorët e demonstratave?

 

     Këto vlerësime pashmangshëm, i hapën rrugë burgosjes së organizatorëve të demonstratave. Më 28 nëntor 1968 arrestohen: Osman Dumoshi. Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli; më 1 dhjetor arrestohen: Hasan Dërmaku, dhe Skënder Kastrati; më 3 dhjetor arrestohet Xheladin Rekaliu; më 11 dhjetor arrestohet Adil Pireva; më 25 dhjetor  Ilaz Pireva, ndërsa më 27 janar 1969 arrestohet Selatin Novosella. 48

     Gjatë kësaj periudhe arrestohen edhe dhjetra studentë, nxënës, mësues e punëtorë, që morën pjesë në demonstrata, mirëpo shumica prej tyre do të lirohen, ndërsa një pjesë e tyre denohen për kundërvajtje. Pas katër muaj hetimesh, më 2, 3, 4 e 7 prill 1969, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajtë një proces gjyqësorë kundër organizatorëve të demonstratave.

       Në këtë proces u përfshi, trupi gjykues i përbërë nga:

-        Nazmi Juniku - kryetar,

-        me gjyqtarët - porotë: Beçir Shehi dhe Mehmet  Sponca,

-        si procesmbajtës ishte Hysamedin Oruçi,

-        ndërsa Prokuror ishte Sahit Meraku i deleguar nga Peja.

     Kjo trupë gjyqtarësh – porotësh më 7 prill 1969 ”në emër të popullit” për shkak të “krimit - propaganda armiqësore nga  neni 118  al. 1  e  KP” 49 këta studentë i shpalli fajtorë dhe ua shqiptoi dënimin prej 37 vjetësh burg të rëndë.

  Me këtë rast studentët:

-        Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku, Selatin Novosella dhe Adil Pireva, u dënuan me nga 5 vjet burg;

-        Skënder Kastrati dhe Xheladin Rekaliu me nga 4 vjet burg,

-        ndërsa Ilaz Pireva, Skënder Muçolli dhe Afrim Loxha dënohen me nga 3 vjet burg. 50

 

Faksimili i aktgjykimit të grupit të Osman Dumoshit

 

      Për pjesëmarrje aktive në demonstratën e Prishtinës, u denuan edhe studentët: Asllan Kastrati, me 6 muaj burg; Sylejman Kastrati me 3 muaj burg; Skënder Berisha me 2 muaj, Bedri Novosella, Sylejman Peposhi dhe Halil Qosja me nga 1 muaj; ndërsa Tefik Qitaku dhe Ramadan Ramadani (që të dy rrobaqepës) u dënuan me nga 2 muaj burg.

     Për demonstratën e Ferizajit u denuan:Ali Mehmeti, arsimtar me 1 vit burg, Ismet Ramadani dhe Hasan Abazi (që të dy studentë) me nga 10 muaj; ndërkaq me nga 1 muaj u denuan; Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Sylejman Bytyqi, Hasan Muhaxheri dhe Ekrem Beqiri.

Për demonstratën e Gjilanit u denuan studenti: Irfan Shaqiri me 1 vjet burg, ndërsa me nga 1 muaj burg  u denuan: Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Rexhep Mala, Fatmir Salihu, Ahmet Hoti etj

     Ndërkaq për demonstratën e Podujevës u denuan: Hamit Abdullahu (berber)me 1,6 muaj burg; Sabit Syla (student) me 1,4 muaj burg; Haki Sheholli me 1 vjet burg; ndërsa me nga 1 muaj burg u denuan: Hasan Sh.Shala dhe Bahri Shabani, që të dy studentë. Po me nga 1 muaj u denuan edhe mësuesit: Hasan Shala, Xhafer Ejupi, Skënder Hoxha, Shaqir Shala dhe Selatin Vokrri si dhe Nexhip Ejupi e Abdulla Nishevci, që të dy me profesion rrobaqepës. 51

 

Si u organizuan demonstratat

e dhjetorit1968 në Tetovë

 

     Demonstratat e muajve tetor - nëntor 1968 që u organizuan në Kosovë, ndikuan fuqishëm edhe në viset shqiptare në Maqedonin perëndimore. Nismëtarë për organizimin e Demonstratës në Tetovë u bënë studentët shqiptar nga Tetova, Gostivari, Kumanova..., që studjonin bashkë me studentët nga Kosova në Universitetin e Beogradit, Zagrebit dhe në disa fakultete të Prishtinës. Me këtë rast në krye të këtyre aktiviteteve atdhetare u vunë mësuesit: Mehmetriza Myrtezani Gega (Mehmet Gega) nga Tetova, i cili në vitin 1955 u denua me 10 vjet burg, per shkak të pengimit të shpërnguljeve të familjeve shqiptare për Turqi; Hysniqemal Sherifi (i cili në vitin 1963 ishte udhëheqës i grupit patriotik e revolucionar ”Flamuri” 52 ), pastaj studentët: Faik Mustafa nga fshati Shipkovicë, Ramadan Sinani nga fshati Gajre, Hysenxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rustemi, Arbër Xhaferi, Fehmi Rufati etj. 53

     Popullit shqiptarë në këto vise etnike, përveç se i mohoheshin të drejtat në arsim, kulturë, punësim etj, kishte të ndaluar edhe përdorimin e simboleve kombëtare. Përkundër ndalesave shtetërore, shqiptarët gjenin forma për kremtimin me dinjitet të festave kombëtare.

     Me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit, më 27 nëntor 1967 në shtëpinë e Mehmet Gegës mblidhet një grup të rinjësh për të festuar këtë ditë të madhe kombëtare.

    Në këtë mbrëmje festive ishin të pranishëm:

   1. Faik Mustafa,

   2. Ramadan Sinani,

   3. Hysenxhevat Kalishta,

   4. Miftar Zymberi,

   5. Fehmi Rufati,

   6. Abylselam Selami,

   7. Xhemil Mustafa,

   8. Arbër Xhaferi,

   9. Abdylmenaf Rustemi.

     Atë natë derisa grupi këndonte dhe bisedonte për pozitën e rëndë të shqiptarëve, sidomos në fushën e punësimit dhe të arsimit, vajza e Mehmetit, Valdetja do ta qëndis flamurin kombëtar, të cilin po këtë natë e përfundon së qëndisuri.

 

Mehmetriza Myrtezani - Gega dhe Faik Mustafa

 

     Më 27 nëntor 1967 edhe Shefit Pollozhani nga Struga, bashkë më Sejdi Llogën, Olloman Selën dhe Xhevat Lenën ngritën flamurin kombëtar dhe shkruan parullat:

   - ”Rroftë 28 Nëntori”,

   - ”Rroftë populli shqiptar”,

   - ”Rroftë Shqipëria” 54 dhe të nesërmen festuan këtë ditë të madhe kombëtare. Një vit më vonë ditën e Flamurit, e festuan edhe dy grupe të rinjësh në Gostivar: Zyhdi Bilalli, Shaip Bilalli  dhe Naim Bilalli nga Çegrani dhe Hysen Hasani me disa të tjerë u tubuan në ambientet e shkollës fillore ku ngritën flamurin kombëtar dhe kremtuan këtë datë historike.

     Ndërkaq një grup tjetër arsimtarësh nga Gostivari në përbërje: Jusuf Dalipi, Xhavit Muharremi, Imer Imeri, Mustafë Rushiti, Refik Dauti, Flora Muharremi dhe Jamin Nuredini, pikërisht në paraditen e 28 nëntorit 1968 i vendosin flamujt në vetura dhe parakalojnë nëpër fshatrat Gajre, Florinë dhe Çegran, kthehen në qytet dhe sërish nisen e shkojnë në drejtim të kundërt, në fshatin Debresht. Pasdite Jusuf Dalipi, Jamin Nuredini, Refik Dauti, Mustafë Rushiti dhe Imer Imeri me flamur në veturë shkojnë në Mavrovë (18 km. larg Gostivarit) dhe hyjnë në restorantin e ”Haneve të Mavrovës” duke e vendosur edhe flamurin kombëtar mbi tavolinë. 55

     Para këtyre ngjarjeve, më 18 tetor 1968 në Tetovë, u bë bojkotimi njëditor i mësimit të nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë..., mirëpo qarqet shoviniste maqedonase e pengonin realizmin e tij. Këtë ngjarje edhe pse të gjithë instancat politike dhe shtypi i kohës e karakterizuan si një akt të rëndë në prishjen e marrëdhënieve ndërnacionale, megjithatë pas shqyrtimit të kësaj kërkese, më 20 tetor 1968 filloi punën paralelja në gjuhën shqipe. 56

      Populli shqiptar në Maqedoni ndonëse jetonte në pozita diskriminuese, grupi i Mehmet Gegës me rastin e ditës së Flamurit u mblodhën në shtëpinë e Faik Mustafës, pikërisht në vigjilje të kësaj feste kombëtare, (27 nëntor 1968) në kohën kur në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës u mbajtën demonstrata të fuqishme, dhe aty shtruan për diskutim organizimin e një demonstrate në Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Shkup dhe në qytete tjera shqiptare. 57 Meqë ato ditë, ishte ramazan, Mehmet Gega për ta përgatitur masën popullore për demonstratë, më 28 nëntor 1968 xhematit  të mbledhur në xhaminë e sahatit i foli për rëndësinë historike të festës së Flamurit, që prej Kuvendit të Lezhës (28.XI.1444) e deri në Kuvendin e Vlorës (28.XI.1912), kur u shpallë edhe Pavarësia e Shqipërisë, si dhe për padrejtësitë e shumta që i bëheshin shqiptarëve para dhe pas luftës së dytë botërore. Me propozimin e tij u bënë edhe lutje për dëshmorët e rënë. 

     Ndërkaq, gjatë gjysmës së parë të muajit dhjetor 1968 u zhvillua një aktivitet i dendur organizativ. Anëtari i grupit Faik Mustafa vuri kontakte me dy studentë nga Gjakova: Agim Jakën dhe Ibrahim Rudin, me të cilët u konsultua rreth kërkesave që duhet shtruar në demonstratë. 58

 Ndërkohë u shkruan dhe u shumzuan (me ciklograf) qindra thirrje për demonstratë, të cilat u shpërndanë nëpër fshatrat përeth Tetovës dhe në disa qytete. Paraprakisht u shkruajtën edhe kërkesat në transparente. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1968 (në vigjilje të kremtes së Bajramit) me porosi të Mehmet Gegës, në disa minare të xhamive të Tetovës u vendosën flamujt kombëtar shqiptar.

     Fillimisht, flamuri vendoset në Xhaminë e Sahatit, që gjendet ne qendër të qytetit, dhe atë e vendos Myrtezan Myrtezani (vëllai i Mehmet Gegës); në xhaminë e vjetër  Eski Xhami e vendos Abdullah Jusufi, ndërsa në Xhaminë e Pashës flamurin e vendos Haqif Ferati. 59 Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe punishte zejtare, si dhe në disa fshatra përreth si në Radovicë, në Reçicë, në Shipkovicë, në Gajre etj. 60 Derisa ngritja e flamurit kombëtar, për shqiptarët e Tetovës ishte një fitore e madhe, qarqet shoviniste maqedonase këtë aksion nuk e shikuan me sy të mirë, prandaj dhe organizuan një skenar provokues.

     Në orët e mbrëmjes të 22 dhjetorit, fotografi maqedonas Sreçko Janevski nga Tetova, e grisi flamurin shqiptar, të ngritur në punishten e Ismail Ejup Spahiut (rrobaqepës) në rrugën ”Ilindenska”, mu në qendër të qytetit. 61 Të revoltuar nga ky akt shovinist, me shpejtësi në vendin e ngjarjes u grumbulluan dhjetra  tetovarë dhe deri rreth orës 20 të mbrëmjes, masa u shtua në disa qindra vetë. Masa e tubuar e ndoqi sllavomaqedonin S.Janevski, i cili gjatë ikjes me revole në dorë kërcënonte shqiptarët dhe futet  në ambientet e hotelit ”Makedonija”. Protestuesit shqiptar pasi i thejn xhamat e dritareve hyjnë brenda në hotel, por ndërkohë vjen policia dhe e merrë në mbrojtje këtë provokator. Masa e revotluar shqiptare në krye të së cilës u ndodhën mjekët: Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari si dhe arsimtarët: Selajdin Hyseni dhe Abdullah Kalishta, protestuan duke marshuar rrugëve të qytetit  dhe hodhën parolla kundër pushtetit maqedonas dhe rreth orës 21 u shpërndan të qetë. 62

     Nisur nga kjo situatë e krijuar, grupi i Mehmet Gegës mori qëndrim për vazhdimin e protestës. Të nesërmen më 23 dhjetor, protesta u shndërrua në demonstratë. Rreth orës 11 organizatorët e demonsratës: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini, Hysniqemal Merxhani etj, ishin tubuar përpara dyqanit të provokatorit Sreçko Janeski. Masa e demonstruesve, lëvizi nga qendra e qytetit në drejtim të kuvendit komunal dhe me këtë rast nxënësi i gjimnazit Hamit Salihu me disa shokë  u futën në ambientet e komunës dhe në dritaren e një zyreje në katin e tretë e shpaluan flamurin kombëtar. 63

     Pasi njoftohet policia nga kujdestarët e komunës, aty shkaktohet një përleshje midis demonstruesve dhe ”ruajtësve të rendit”. Policia për t´i shpërndarë demonstruesit përdorën shkopinjtë e gomës, ndërsa demonstruesit shqiptarë mbroheshin me gjësende që gjenin përreth. Pas këtij marshimi demonstruesit kthehen andej ka kishin ardhur (rrugës kryesore), dhe meqë ishin informuar rrejshëm se tashmë ishin burgosur disa demonstrues, masa u ndalua fuillimisht para ndërtesës së  Sekretariatit për Punë të Brendshme dhe qëndruan një kohë të gjatë, duke kërkuar lirimin e të burgosurve. 64

     Më pastaj demonstruesit marshojnë në drejtim të tregut të qytetit, rrugës që të shpije për Ferizaj. Gjatë rrugëtimit bashkohen punëtorët shqiptar të Kombinatit ”Tetex”, zejtarët dhe popullata e fshatrave të Tetovës. Demonstruesit mbanin në duar flamuj kombëtar dhe transparente me parullat:

   - ”Poshtë shovinizmi maqedonas”,

   - ”Kërkojmë hapjen e Universitetit të Kosovës”,

   - ”Kërkojmë përdorimin e  lirë të Flamurit Kombëtar”...,

    ndërsa masa parreshtur brohoriste:

   - ”Kushtetutë, kushtetutë!,

   - ”Flamuri, Flamuri”,

   - ”Duam mësim në gjuhën shqipe” etj. 65

    Në orët e vona të pasdites, masa prej 4 - 5 mijë vetësh (e cila vinte akoma duke u rritur) u grumbullua në qendër të qytetit, ndërkohë që edhe përforcimet e policisë të ardhur nga Shkupi u shtuan shumë. Në këtë situatë entuziazmi, të përcjellur me brohoritje e parulla për barazi kombëtare, para masës, djaloshi 20 vjeçar Shifajet Fetahu, u ngjit në një shtyllë metalike dhe vendosi flamurin kombëtar. Ngritja e flamurit para demonstruesve qe akti me kulminant i kësaj demonstrate. 66

    Më pastaj demonstruesit filluan sërish marshimin drejt kinemas “19 nëntori” ku policia duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe kondakët e revoleve dhe të automatikëve u përpoqën t´a shpërndajnë masën. Gjatë këtyre përleshjeve pati dhjetra shqiptarë të plagosur si dhe u arrestuan shume të tjerë. Ndërkaq në këto përleshje u shkatërrua një vetur e policisë, një kamion, shumë vetura zyrtare e private, Komiteti Komunal i LK të Tetovës, Komuna dhe zyrat e Sindikatës etj. Demonstrata nëpër rrugët e Tetovës përfundoj në orën 20 të mbrëmjes. 67

     Manifestime të hapura në frymën e demonstratave pati edhe në: Gostivar, Kërçovë,Kumanovë, Preshevë si dhe në Ulqin, ku me ekspozimin e flamurit kombëtar u shpreh vullneti i popullit shqiptar për vetvendosje.

 

Kush u denua për organizimin

e demonstratave në Tetovë?

 

     Për demonstratat e Tetovës, e cila e aktualizoj çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar dhe hapjen e paraleleve të mësimit në gjuhën shqipe, u denuan 170 shqiptarë, 68 ndërsa 54 veta u denuan me mbi 1 vjet burg, jo vetëm nga Tetova por edhe nga Shkupi, Gostivari, Struga dhe Kërçova.

     Më datë 25.VI.1969 në Gjykatën e Qarkut në Shkup u gjykua Grupi i Mehmetriza Murtezanit (Mehmet Gegës).

Në Aktgjykimin e këtij grupi shkruan:

NË EMËR TË POPULLIT

     Si gjykatë e apelacionit të shkallës së parë, e përbërë prej Këshillit pesë anëtarësh: gjykatësit Bogosav Nikodijeviq, si kryetar i këshillit dhe gjykatës i rregullt Atanas Spasov; gjykatësit porotë:Krste Mitrevski, Abdush Huseini dhe Maria Shundilova, si anëtarë të këshillit, me procesverbalistin Jordanka Nikançeva, punëtor administrativ i gjyqit, duke vendosur sipas  aktpadisë në Prokurorinë e hapur të Qarkut të Shkupit KT. nr.1225/68, të datës 18.IV.1969 kundër të akuzuarve: Memetriza Murtezani dhe Faik Mustafait, të dy nga Tetova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit- sipas nenit 117, fq.1, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1, të Ligjit Penal; si dhe kundër të akuzuarve: Abdulselam Selamit, Ramadan Sinanit, Fehmi Rufatit, Xhemail Mustafait, Agim Xhaferrit, Arben Xhaferrit, Abdulmenaf Rustemit, Useinxhevat Useinit, Isniqemal Sherifit, Refik Muratit dhe Nexhbedin Nezirit, të gjithë nga Tetova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit 117, fq.2, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1 të LP., dhe kundër të akuzuarve: Agim Jakës dhe Ibahim Rudit, të dy nga Gjakova, për veprën penale-Bashkim kundër popullit dhe shtetit, me ndihmesën e nenit 117, fq.1, në lidhje me nenin 100 dhe 101, fq.1, si dhe nenit 20 të LP., ndërsa sipas hetuesisë kryesore shtetërore të hapur me gojë, me praninë e Prokurorit publik të Qarkut të Shkupit, Mr. Vanço Proevski dhe ndihmësit të tij, Branko Milanov,…. më datë 25.VI.1969… Në bazë të rregullave të neneve 3, 20, fq.1, 28, 38, 42, fq.1, 43, fq.1 dhe 45 të LP., në lidhje me nenin 117, fq.1 dhe 2 të LP., si dhe rregullat nga neni 89, fq.2 pika 1 deri më 6, nenit 91, fq.1 dhe 3, 93, fq.1 të LP., të akuzuarit:

     1. MEMETRIZA MURTEZANI i quajtur "Gega" nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 7 VITESH, në të cilën llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968.

     2. FAIK MUSTAFAI nga Tetova me BURG TË RËNDË prej 5,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968;

     3. ABDULSELAM SELAMI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 27.XII.1968.

     4. RAMADAN SINANI i quajtur "Ramush" nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968.

     5. FEHMI RUFATI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968.

     6. ABDULMENAF RUSTEMI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968;

     7. ISNIQEMAL SHERIFI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.XII.1968;

     8. REFIK MURATI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 23.XII.1968;

     9. NEXHBEDIN NEZIRI nga Tetova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 1,6 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 20.II.1969;

     10. AGIM JAKA nga Gjakova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 2,6 VITESH në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 24.I.1969; dhe

     11. IBRAHIM RUDI nga Gjakova, dënohet me BURG TË RËNDË prej 3 VITESH, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 7.III.1969. 69

      Ndërsa

     12. Hysenxhevat Kalaishta student me 5 muaj burg;

     13. Xhemil Mustafa student me 5 muaj;

     14. Arbër Xhafëri student me 3 muaj;

     15. Agim M.Xhaferi student me 3 muaj burg e shumë të tjerë. 70

 

Faksimili i aktgjykimit të grupit të Mehmetriza Myrtezanit - Gega.

 

     Më 30. VI. 1969, në Gjykatën e Qarkut në Shkup „Këshilli i përbërë nga gjykatësi Blagoja Çonevski, kryetar i këshillit dhe gjyqtarët porotë: Pero Konçaliev dhe Petar Kunovski,“ në bazë të aktakuzës të ngritur nga  zv.Prokurori publik i qarkut Vanço Pavlovski „në Gjykatën Publike të Qarkut të Shkupit, me Nr.K. 1223/1968 - 18.IV.196,… sipas nenit 118, fq.1 të LP, dhe …nenit 119, fq.1 të LP.“ në „emër të popullit“ i dënon:

     1. HARUN JAKUPI, dënohet me vuajtje të rëndë të burgut prej 5 vjetësh;

     2. SALAJDIN HUSEINI, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 4 vitesh;

     3. MAHMUT AVDIU-BAJRAKTARI, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 4 vitesh;

     4. ABDULLA HUSEINI-KALISHTA, dënohet me vuajtje të rëndë burgu prej 18 muajsh. 71

 

 

 

 

 

 

 

"Flaka" shkruan për proceset gjyqësore...!

 

     Pas burgosjeve në Tetovë, pushteti shovinist maqedonas, burgosi e dënojë edhe shumë të rinjë shqiptar, që nuk kishin aspak lidhje me demonstratat e Tetovës. Në Shkup u denua Sejdi Kryeziu me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë propagand armiqësore për shkëputjen e Maqedonisë perëndimore dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u denua me 1 vjet, po për propagand armiqësore. Asokohe në strug u denua Irfan Vlashi me 6 vjet burg, për diversion, Tosun Roçi me 4 vjet burg, ndërsa në Kërçovë u denuan:  Syrja Qura, Sali Ramadani etj. 72

 

Përfundim

 

    Demonstratat e vitit 1968 patën një rol të madh në zhvillimet e mëvonshme politike. Ato e detyruan udhëheqjen jugosllave të rishqyrtojë statusin juridik të Kosovës dhe me këtë rast u ndërmorën disa veprime konkrete. Në shkurt 1969 u miratue ligji kushtetues për Kosovën, i cili hapi rrugë që ajo ta ketë Kushtetutën e vet. Me anë të ligjeve emërtimi ”Kosovë e Metohi” si krahinë e Sërbisë, ndërron emrin në “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës” (KSAK); Po atë vit  gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, krahas gjuhës serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar; ndërsa  në nëntor 1969 Kuvendi i Kosovës shpalli ligjin për themelimin e Universitetit të Kosovës, i cili do të jetësohet më 15 shkurt 1970. Së këndejmi, pas debateve maratonike për ndryshimet kushtetuese (1967-1971), Kuvendi federativ i Jugosllavisë më 21 shkurt 1974 miraton Kushtetutën e re të RSFJ-së, ndërsa një javë më vonë  (28 shkurt) edhe Krahina Socialiste Autonome e Kosovës e miraton Kushtetutën e parë të saj, e cila Kosovën e definon njëkohësisht, si: ”pjesë integrale të Sërbisë” dhe ”element konstituiv të federatës jugosllave”. 73 Megjithatë kjo Kushtetutë nuk do të kënaqë asnjëherë vullnetin e popullit shqiptarë, prandaj dhe organizatat politike ilegale nuk do ta ndalin dot veprimtarinë e tyre atdhetare për asnjë moment, për të realizuar synimin dhe aspiratën madhore - vetëvendosjen dhe bashkim kombëtar.

 

Referencat

1 A.Lalaj: Kosova - rruga e gjatë drejt vetvendosjes (1948-1981), Tiranë 2000, fq.137-140.

2 Pa vetvendosje - s´ka barabarësi, “Rilindja“, 19 gusht 1968; Vetëvendosja-pjesë përbërëse e mekanizmit vetqeverisës (po aty) 5 shtator 1968; Krahinës kompetenca më të mëdha (po aty) 6-8 shtator 1968; A.Lalaj - vepra e cituar, fq.188-189.

3 A.Lalaj, vepra e cituar, fq.283.

4 Konkluzionet e konsultës gjuhësore të 22-23 prillit të vitit 1968, mbajtur në Prishtinë, ”Përparimi” 1968, nr.3-4, fq.325-326.

5 K.Rexha- „Fati i luleve (Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla), Prishtinë 1993, fq.104. / A.Lalaj: vepra e cituar, fq.334.

6 F.Hoxha: Jemi në shtëpinë tonë, Prishtinë 1986. ”Kosovo, Past and Present”, Beograd 1989, fq.389 /A.Lalaj: Vepra e cituar, fq.335.

7 Dr.Z.Neziri: “Isa Demaj jeta dhe veprimtaria atdhetare, Prishtinë 2002, fq.179 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1941-1981,

Prishtinë 2003, fq.169. /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1884-1990), Gjakovë 1991, fq.504.

8 Dëshmi e Prof.Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.

9 Dr.Z.Neziri: Vepra e cituar, fq.181-182 /Mr.E.Çeku: Vepra e cituar, fq.169.

10 Nga deklarata e Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.

11. Selatin Novosella, Demonstratat e vitit 1968 (Kosova Sot)

12  Po aty

13 A.Pireva: vepra e cituar, fq.38-41.

14 Po aty

15 Po aty

16 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë 2003, fq.170.

17 Sabri Novosella: Flijimi për ëndrrën e lirisë (Rrëfim) Zëri 26 dhjetor 1996, fq.22.

18 Aktgjykimi K.nr.23/69 Gjyqi i Qarkut Prishtinë, fq.3.

19 A.Pireva: vepra e cituar, fq.7

20 Aktgjykimi i cituar, fq.4.

21 A.Pireva: vepra e cituar, fq.53-55.

22 “Zëri i Kosovës“-Organi LPRK-së, artikulli i cituar... nr.11/12 nëntor-dhjetor 1988, fq.8.

23 Po aty

24 A.Pireva: Vepra e cituar, fq.fq.78.

25 Po aty

26 Po aty

27 Po aty

28 S.Novosella: artikull i ctuar, 4 dhjetor 2003, fq.9.

29 Po aty

30“Zëri i Kosovës“.... artikulli i cituar, fq.8.

31 S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9

32 Po aty dhe libri i cituar i A.Pirevës, fq.112.

33 Po aty

34 A.Pireva: vepra e cituar, fq. 113-115.

35 Po aty

36 Po aty

37 S.Novosella: Në 35 vjetorin e demonstratave të 68-tës, Kosova Sot, 3 dhjetor 2003, fq.9

38 “Zëri i Kosovës“….artikulli i cituar, fq.9.

39 Nga biseda e autorit me Irfan Shaqirin, 15.XI.2004

40 ALK-„Kosovapres“ Prishtinë 28 mars 2001.

41 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar, fq.9.

42 Po aty

43 Po aty

44 A.Lalaj, Kosova-rruga e gjatë drejt vetëvendosjes (1948-1981),Tiranë 2000,

fq.361.

45 Arkovi i Kosovës, fondi i KK të LKK, Dosja: Mbledhja e Komitetit Krahinor, 28.XI.1968. /Mr.E.Çeku: vepra e cituar, fq.172

46 Gazeta”Rilindja”, 30 nëntor 1968 (raport nga mbledhja e KK të LKK-së), /A.Lalaj: vepra e cituar, fq.353.

47 Po aty

48 Aktgjykimi K.nr.23/69 i shpallur nga gjykata e qarkut në Prishtinë (7 prill 1969) fq.1-2.

49 Aktgjykimi i cituar, fq.1

50 Aktgjykimi i cituar, fq.2-3

51 A.Pireva: Gjashtëdhjetëeteta shqiptare, Prishtinë 1994, fq.175-176

52  “Zëri i Kosovës“... artikulli i cituar, fq.10.

53 B.Berisha: Çështja kombëtare shqiptare dhe “ultrakomunistët“shqiptar, Tetovë 1996, fq.192.

54 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.192. /Selatin Novosella: Cilat ngjarje i paraprinë demonstratave në Tetovë, Kosova Sot, 8 dhjetor 2003, fq.9

55 Revista ”Koha” Prishtinë,  mars 1991, /S.Novosella: Artikulli i cituar, fq.9

56 B.Berisha vepra e cituar, fq.196. / Revista ”Koha” Prishtinë, mars 1991

57 B.Berisha, vepra e cituar ,fq.193, /S.Novosella, artikulli i cituar, fq.9

58 Revista ”Koha” ,Prishtinë, mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9

59 B.Berisha: vepra e cituar, fq.197, /Revista “Koha” Prishtinë mars 1991./S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9

60 “Zëri i Kosovës“… artikulli i cituar, fq.10

61 Po aty

62 Po aty

63 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.198. /S.Novosella: artikulli i cituar, 9 dhjetor 2003, fq.9

64 Revista ”Koha”, Prishtinë mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9

65 Po aty, /“Zëri i Kosovës“, artikulli i cituar, fq.10.

66 B.Berisha: vepra e cituar, fq.198.

67 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar, fq.10.

68 Sot fillon gjykimi i organizatorëve të demonstratave të Tetovës, ”Rilindja” 1-3 qershor 1969.

69 Nga aktgjykimi 129/69

70 A.Pireva: vepra e cituar, fq.176-177.

71 Nga aktgjykimi 30.VI.1969

72 B.Berisha: vepra e cituar, fq.199-200.

73 N.Gjeloshi: “Kosova në udhëkryq 1989“, Itali 1997,fq.2

.

 

 

© Pashtriku.org, Nëntor'2011

 

.

 

powered by Beepworld