|
Në 30 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës
dhe Kadri Zekës, botohet libri:
LËVIZJA, NJË LINDJE E PËRGJAKUR
Se shpejti, do të dalë nga botimi, libri më i ri i shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami "Lëvizja, një lindje e përgjakur - bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin".

Libri ka në qendër të tij memorjen e një rruge 30 vjeçare të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që nga ditët e parathemelimit të saj, organizatat që vepronin në perëndim dhe problemet e tyre, njerëzit dhe situatat e shumta, ditën e themelimit me 17 janar 1982, vrasjen e tre Herojve të Kombit, në natën e 17 janarit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, vështërsitë nëpër të cilat ka kaluar Lëvizja Popullore e Kosovës, përfaqësuesit e saj të denjë, figurat e njohura të rezistencës Kombëtare, ndërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas edhe i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, probleme të njohura e të panjohura gjatë këtij rrugëtimi…, të gjitha këto shpërfaqen përmes një bashkëbisedimi mes dy personazheve: Bedri Islamit, autor i librit "Lëvizja, një lindje e përgjakur…", i cili gjatë viteve të luftës në Kosovë 1998 - 1999 ishte drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, dhe Ibrahim Kelmendit, njëri ndër themeluesit e Organizatës, e me pas, deri në përfundimin e luftës, njëri ndër figurat më të njohura të saj. Në këtë libër, sublimohet një bashkebisedim intrigues, me të vërteta që përplasen me njëra tjetrën, thënie e kundërshti, mendime të ndryshme e jo rrallë edhe qëndrime të ndryshme. Pra, është një libër që ia vlen të lexohet me një frymë!
( Moderatori i pashtriku.org, Sheradin Berisha, 19. 01. 2012 )
|