Po i përgjigjem Menduh Thaçit të papërgjegjshëm

 

 

 

VOJVODA SHQIPFOLËS TASHMË E KA MBUSHUR KUPËN ME SHPIFJE DENIGRUESE DHE ME

„DOSJE“ TË FALSIFIKUARA

 

Shkruan: Ibrahim Kelmendi ( * )

 

 

Shikoni: Vojvoda Menduh Thaçi

 

 

Përse Menduh Thaçi e inkriminon kaq brutalisht

Kryengritjen e vitit 2001…?

 

     Me 14 nëntor 2010, Menduh Thaçi u intervistua nga Radio “Evropa e Lirë“. Në pyetjen, “nëse drejtuesit e UÇK’së kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB’së, del se edhe konflikti i armatosur i vitit 2001 ishte konstrukt i shërbimeve sekrete serbe...”, Menduh Thaçi, i papërgjegjshëm siç po dëshmohet, përgjigjet:  “Është e vërtetë, e kam thënë atëherë dhe tani e përsëris, segmente të caktuara të shërbimit sekrete serbe e iniciuan 2001-shin.”

 

 

     Kjo është vërtetë akuzë e rëndë, obstruksion ordiner, që tashmë nuk lëndon vetëm individ, por pothuajse gjithë popullin tonë. Edhe mua me ka hidhëruar deri në egërsim, prandaj dëshiroj t’i përgjigjem me të njëjtën “monedhë”! Veproj kështu sepse më bëhet sikur po dëgjoj tek rënkojnë varret e dëshmorëve të asaj Kryengritjeje, sepse sikur po ndiejë riplagosjet e rigjymtimet e invalidëve të Kryengritjes, sepse kjo akuzë ordinere i ka lënduar e hidhëruar Shoqatën e veteranëve, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve dhe mezi po e përmbajnë hidhërimin e tyre, sepse janë hidhëruar të gjithë shqiptarët që e përkrahën dhe u krenuan me atë Kryengritje. E, mund të heshtin vetëm konformistët e frikacakët! E, mund të heshtin vetëm ata që mendojnë se duke injoruar Menduh Thaçin, e kanë kundërshtuar më se miri. E, mund të miratojnë këtë akuzë vetëm mercenarët e ithtarët e mashtruar të Menduh Thaçit!

 

Deklartatë e vojvodës Menduh Thaçi

Klikoni mbi foto:

 

     Kjo shpifje kaq e rëndë kurrsesi nuk mund të arsyetohet si mjet në luftën politike për pushtet. Ajo fyen heronj, dëshmorë, viktima, fyen të gjithë ish ushtarët, fyen gjithë popullin që u gëzua për fitoret që u arritën dhe sidomos për vrasjen e atëhershme të frikës nga pushteti nacionalist maqedonas...

     Patjetër duhet shtruar pyetjen:

     Përse Menduh Thaçi e inkriminon kaq brutalisht Kryengritjen e vitit 2001, e cila përcaktim të saj kryesor kishte arritjen e barazisë nacionale të shqiptarëve të diskriminuar në Maqedoni!? Kësaj radhe duhet dhënë përgjigjën e merituar! Përndryshe, Menduh Thaçi do të vazhdoj të shpërdoroj vetëpërmbajtjen, sidomos të kuadrove dhe ushtarëve të Ushtarisë Çlirimtare Kombëtare dhe të përkrahësve të asaj Kryengritjeje të lavdishme. 

     Për ata që nuk e dinë, Partia e Menduh Thaçit në kohë të Kryengritjes ishte në “koalicion” qeveritar dhe prandaj ishte pjesë e pushtetit nacionalist e shovinist maqedonas, kundër të cilit u bë Kryengritja e armatosur. Meqë kjo është e vërtetë, mund të konstatohet se PDSH’ja, si vasale e pushtetit , ishte armike, kundër të cilës qe luftuar. Kur plasi Kryengritja Menduh Thaçi ishte një vojvodë (siç e thërriste shumica e shqiptarëve në Maqedoni), të cilit i jepej një pjesë e plaçkës që ai pushtet fashist ua grabiste qytetarëve. Dhe ia jepte shpërblimin e fëlliqur për të paguar përkrahjen pa rezervë të udhëheqjes se PDSH’së. Në kuadër të këtij shpërblimi mercenarit Menduh Thaçit i ishte ndarë edhe një copë hapësirë për të bërë reketim, kriminalitet e kontrabandë vulgare.

     Këto shpërblime ia mundësuan Menduh Thaçit të formojë njësi mercenare paramilitare, të cilat terrorizonin vetëm qytetarët shqiptarë. Këtë lloj organizimi kriminal, çuditërisht, strukturat shtetërore maqedonase po vazhdojnë ta tolerojnë edhe tani. Dhe pse po ndodh kjo, nuk denjon kush të jep të paktën shpjegime. E vërteta është se edhe tani strukturave nacionaliste, komanduese, të pushtetit maqedonas sikur po u konvenon një vojvodë shqipfolës, në krye të njësive të tij paramilitare mercenare, që të vazhdojnë se terrorizuari shqiptarët. Këto struktura nacionaliste duan që shqiptarët t’i mbajnë nën ethe e tension, duan t’i përçajnë ata, duke i paaftësuar sa më shumë, për t’u dal zot më me sukses të drejtave të tyre nacionale, kulturore, arsimore, ekonomike. Me një fjalë, duan t’i defaktorizojnë shqiptarët.

     Ky përcaktim i strukturave nacionaliste e shoviniste maqedonase, të cilat edhe tani dukshëm po komandojnë pushtetin maqedonas, po i jep gjithë këtë “trimëri” vojvodës Menduh Thaçi, po i lënë atij hapësirë e terren të lirë për të fyer e denigruar kaq rëndë popullin shqiptarë. Pjesëtarëve të njësive të tij paramilitare u është lejuar e po u lejohet hapësirë për të reketuar dhe për të kontrabanduar, u lehet hapësirë për të terrorizuar votuesit shqiptarë gjatë fushatave e gjatë ditëve të votimit, u lihet hapësirë për të terrorizuar të gjithë ata që guxojnë të flasin kundër tyre.

     Të kujtojmë këtu paramilitarin kriminel, Agim Krasniqin, i cili terrorizonte e bënte krime nga më të shëmtuarat, por, çuditërisht, komandantët nacionalistë të policisë maqedonase e toleronin, i lejohej atij hapësirë mediale për të “përfaqësuar” (baltosur) shqiptarët në Maqedoni. Edhe atë kriminel e afirmonte, e yshte dhe e trimëronte vojvoda Menduh Thaçi. E, ngjajshëm me atë kriminel, kishte dhe ka në radhët e paramilitarëve të vojvodës. Edhe krimet groteske të Brodecit, dhe të tjera, ngjashëm me te, si dhe vrasjet e shumta “misterioze” të ish ushtarëve të UÇK’së, qytetarët shqiptarë në Maqedoni ia mveshin vojvodës Menduh Thaçi. Po pra, edhe për krimin e fundit ndaj Komandan “Kushtrimit”/Harun Aliut, përgojohet edhe vojvoda.

     Prej vitesh qytetarët shqiptar në Tetovë e rrethinë jetojnë në frikë e ankth, se kur do të sulmohen nga paramilitarët e zi të vojvodës, të maskuar me maska, të cilët “identifikohen” si “alfa” (polici speciale maqedonase), natën e ditën, në dyer të banesave, kidnapojnë dhe i rrahin për vdekje kundërshtarët politik ose ata që rezistojnë të mos paguajnë reketin. Përmasat e frikës dhe ankthit janë të atyre përmasave, sa për të tilla veprimtari kriminale nuk guxohet as të flitet e të protestohet hapur. Jo vetëm analistët, gazetarët, por as pjesëtarët e strukturave drejtuese të BDI’së nuk guxojnë të flasin e të protestojnë, pavarësisht faktit se partia e tyre është në koalicion qeveritar. Dhe kjo frikë duhet të jetë njëra nga arsyet  që përdhunon BDI’në, që të jetë tani pjesë virtuale e koalicionit qeveritar, nga se dalja në opozitë bartë me vete terrorin e sforcuar të këtyre bandave kriminale paramilitare. Për ata që njohin gjendjen në gjithë imtësitë e saj, në Tetovë edhe policët u frikësohen këtyre bandave paramilitare dhe disa policë bashkëpunojnë me kriminelët e këtyre bandave...

     Ndoshta të gjitha këto nuk i dinë politikanët, analistët, gazetarët, në Tiranë e Prishtinë, prandaj, ndonjëri prej tyre, e joshin vojvodën Menuh Thaçi, si lider partiak shqiptar, i mundësojnë hapësira mediatike (ndoshta edhe kundër pagesës), që ky kriminel të përhap demagogjitë e tij, të plasojë denigrimet e tij ordinere edhe kundër Kryengritjes se vitit 2001. Vetëm të painformuarit shprehin keqardhjen naive, përse liderët shqiptarë në Maqedoni nuk po merren vesh për çështjet kryesore kombëtare, duke barazuar pavetëdijshëm liderët me “liderë”.

 

Kryengritjen e vitit 2001 nuk e kanë iniciua

segmente të shërbimeve serbe!

 

     T’i kthehemi akuzës kryesore, se Kryengritjen e armatosur në Maqedoni e kishin iniciuar struktura të shërbimeve serbe, siç shpif qysh gjatë asaj Kryengritjeje vojvoda Menduh Thaçi. Qasja tangjente gjatë vendimmarrjes për atë Kryengritje, më shumë në cilësi të këshilltarit, me ka mundësuar të jem i mirëinformuar dhe prandaj të jem i bindur se vendimin për atë Kryengritje e kanë marrë strukturat udhëheqëse të LPK’së. Vojvoda Menduh Thaçi dhe bashkëmendimtarët e tij, sikur nuk kanë informata se në LPK, qysh kur është themeluar, më 17 Janar 1982, vendimet janë marrë kolegjialisht, mbi baza statutare, se vendimet nuk janë urdhëruar nga ndonjë komandant, pra, janë marrë në mënyrë kolegjiale nga strukturat udhëheqse. Dhe shpesh vendimet miratoheshin pas debateve të gjata, nga se LPK ishte organizatë çlirimtare, pluraliste e demokratike. Edhe në prag të vendimmarrjes për të bërë kryengritje të armatosur në Maqedoni, për barazi nacionale, në strukturat drejtuese të LPK’së janë zhvilluar debate, ndonjëherë edhe të tensionuara. Përfundimisht, nga ato struktura Ali Ahmeti është zgjedh udhëheqës politik dhe komandant ushtarak. Këtë mund ta dëshmojnë të gjithë pjesëmarrësit e atyre vendimeve. Ndoshta konformizmi, tjetërsimi ose injorimi i vojvodës, i shtynë disa prej tyre të heshtin, të vuajnë, ndoshta edhe nga frika se mund ta pësojnë nga pjesëtarët e njësive paramilitare të vojvodës.

     Gjatë vendimmarrjes për atë Kryengritje janë konsultuar edhe personalitete që nuk bënin më pjesë në LPK’në e kohës. Ndonjëri prej tyre ishte kundër asaj Kryengritjeje, të bindur se mund të dëmtohej procesi i pavarësimit të Kosovës. Por ata nuk ishin vendimmarrës dhe gabojnë kur e gjykojnë edhe sot, me arsyetime të sotme, se Kryengritja nuk arriti fitoret e synuara, se pozita e shqiptarëve po përkeqësohet, etj. Por argumenti kryesor që kishin atëherë, - se do të dëmtohej procesi i pavarësimit të Kosovës, - rezultoi i pavërtetë. Edhe sikur të ndodhte dëmtimi i procesit të pavarësimit të Kosovës, përse do të duhej të duronin shqiptarët në Maqedoni atë pushtet fashist e nacionalist!? Edhe kur po fillonte Kryengritja e armatosur çlirimtare në Kosovë, kishte nga ata që këshillonin, “të durojmë, sepse po dëmtohet Shqipëria londineze në procesin e saj të demokratizmit dhe të anëtarësimit në NATO e BE”. E përse do të duhej të duronin shqiptarët në Kosovë pushtetin fashist të Millosheviqit?! Vetëm për hir të procesit të demokratizimit e anëtarësimit të Shqipërisë londineze në NATO e BE?!

     Rëndom, të gjitha pushtetet nacionaliste, diktatoriale, kur ndodh që qytetarët të rebelohen e të kryengriten, argumentimi i parë i sundimtarëve, pse ndodh rrebelimi dhe kryengritja, është se ato i organizojnë sigurimet e huaja të fshehta. Kështu ato nuk duan të pranojnë se pakënaqësia e qytetarëve ndaj mënyrës së sundimit ka arritur ato përmasa, sa të shpërthejnë rebelime e kryengritje. Përse të ishte përjashtim nga kjo praktikë pushteti i atëhershëm nacionalist e kriminal maqedonas, vasal mercenar i të cilit ishte edhe PDSH’ja!? Kryetar i PDSH’së atëherë ishte Z.Arben Xhaferi, ndërsa njësitë paramilitare të saj i komandonte vojvoda Menuh Thaçi. Dhe ndodhi mrekullia: Aksidentalisht e mrekullisht Arben Xhaferi ndërroi pozicion në momentin pakësa të vonuar, nga kundërshtari u bë përkrahës politik i Kryengritjes. Mos vallë edhe z. Xhaferi e detyruan shërbimet serbe të ndryshoi qëndrimin?! Ky ndryshim cilësor i Arben Xhaferit ndodhi pa miratimin e vojvodës Menduh Thaçi, në rrethana e vend ku ky i fundit nuk e kishte kontrollin e komandimin mbi Arben Xhaferin...

     Atë ndryshim cilësor të Arben Xhaferit nuk ka mundur ta përpunojë e gëlltit asnjëherë vojvoda shqipfolës. Aty e tutje ai e toleronte Arben Xhaferin për kryetar të PDSH’së vetëm si kamuflazh politike, që opinioni të mos i merrte vesh riorganizimet e sforcuara paramilitare të Menduh Thaçit...

     Po të pyeste hetuesia dhe gjyqi vojvodën, nëse ka argumente për këtë akuzë të tij, sigurisht që ai në vend të argumenteve do ofronte bindjen e tij (që nuk pranohen për prova). Ai do të shtonte për “argumentim” edhe deklaratat politike të disa personaliteteve politike evropiane, të cilat provonin të pengonin zgjerimin e forcimin e asaj Kryengritje. Edhe kjo është një praktikë taktike e njohur e personaliteteve vendimmarrëse ndërkombëtare, të cilët në fillim të pothuajse çdo kryengritje pozicionohen kundër, meqë u dalin zot interesave të tyre - ruajtjes se “rendit botëror, paqes e stabilitetit”. Do të ishte mrekulli e llojit, po që se ato personalitete të përkrahnin qysh në fillim Kryengritjen! Tani, nëse për këtë akuzë do bëhej gjyq dhe do të thirreshin për dëshmitarë personalitetet ndërkombëtare (Solana, Robertsoni, etj.), të cilët vojvoda i përmend në këtë intervistë, si argument përforcues, jam tepër i bindur, ata do të thoshin para trupit gjykues, se kanë qenë deklarata taktike politike, në shërbim të pengimit e të zgjerimit të Kryengritjes!

     Siç dëshmova edhe më lartë, vendimin për atë Kryengritje e morën strukturat drejtuese të LPK’së se kohës, Kryengritjen e komanduan dhe e bënë trimërisht vetë shqiptarët patriot! Argumentimet, se ajo nuk është kurorëzuar me fitore të synuara, prandaj ka qenë e gabuar, janë “argumentime” që përjashtojnë akuzën se Kryengritjen e kanë iniciuar segmentet e sigurimeve serbe. Këto përdorën në rastet kur shpifjet skandaloze nuk e kanë efektin e tyre, nga se pakkush i beson më ato. Analizat të bindin se ajo nuk ishte e gabuar, edhe pse nuk doli krejtësisht e fituar. Hovin kryengritës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të marrë nën kontroll Aeroportin e Shkupit dhe prej andej të vazhdonin drejt Shkupit, e preu NATO, e cila imponoi armëpushim dhe bisedime politike (që përfunduan me Marrëveshje të Ohrit, të firmosur edhe nga Arben Xhaferi). Ndokujt që mendonte se duhej të vazhdonte Kryengritja edhe pas ndërhyrjes se NATO’s do të mund t’i jepej të drejtë, sikur UÇK’ja të ishte më e fuqishme se kjo Alenacë. Përmbyllja e Kryengritjes me Marrëveshje të Ohrit qe fat për vojvodën Menduh Thaçi dhe njësitë e tij paramilitare. Mendoj, po mos të ndërhynte NATO, do të kishim zhvillime e përfundime krejtësisht tjera, në kuadër të të cilave mund të ndodhnin edhe gjyqe ushtarake kundër vojvodës dhe paramilitarëve të tij...

     Hovin e realizimit të Marrëveshjes se Ohrit e preu pushteti nacionalist maqedonas në vitin 2006, koalicionist virtual i të cilit u bë PDSH’ja, e komanduar nga vojvoda Mendu Thaqi. Realizimi i asaj Marrëveshjeje ishte në rrugë të mbarë gjatë viteve 2002-2006, edhe pse zvarritshëm, kryesisht për shkak të mungesës se mjeteve dhe infrastrukturës, por edhe për shkak të frenimeve që i bënin nacionalistët maqedonas, që kishin dhe kanë nën komandim segmente vendimmarrëse të administratës shtetërore maqedonase. Edhe shumë arritje të viteve 2002-06 u dëmtuan rëndë dhe u regresuan me ardhjen në pushtet të nacionalistëve maqedonas dhe vojvodës Menduh Thaçi me sejmenë...

 

Përse po hesht Arben Xhaferi (kryetar i nderit i PDSH’së)!?

 

     Vojvoda shqipfolës tashmë e ka mbushur kupën me këto shpifje denigruese dhe me “dosje” të falsifikuara dhe mund që i ka ditët e fundit edhe në krye të PDSH’së. Tashmë shumë anëtarë janë irrituar e zhgënjyer, por frikësohen nga vojvoda dhe paramilitarët e tij që të dalin hapur. E pakuptueshme dhe qesharake është vazhdimi i hezitimit të anëtarëve të ndershëm e patriotë të PDSH’së, nëse vazhdojnë ta tolerojnë vojvodën komandant, i cili me këto veprime kriminale po komprementon gjithë anëtarësinë dhe votuesit e PDSH’së, të cilët e përkrahën Kryengritjen!

     Duke pas parasysh gjithë turbulencat aktuale me “dosje” dhe akuzat inkriminuese, duhet shtruar pyetja:

- Përse po heshtë Arben Xhaferi, tani Kryetar nderi i PDSH’së!?

     Nuk me besohet që ai të miratoj gjithë këto veprimtari e akuza inkrimenuese të vojvodës. Nëse kjo qëndron, atëherë Arben Xhaferi ose i frikësohet vojvodës, meqë di se ai ndëshkon rëndë, edhe me eliminim “misterioz” fizik, ose ia ka zënë “dera bishtin”, siç thuhet kur dikush është i zënë peng nga bëmat e tij në të kaluarën. Me vend është të shtrohet edhe pyetja, përse po hesht edhe Prof. Dr. Sadi Bexheti, Kryetari aktual i Komunës se Tetovës!? Në prag të zgjedhjeve të fundit komunale PDSH’ja kishte arritur pikën kritike të vetëasgjësimit. Ish Rektori Sadi Bexheti kandidoi për kryetar Komune, fillimisht duke kamufluar se nuk ishte kandidat i PDSH’së dhe në balotazh me kandidatin e BDI’së fitoi. Fitoi edhe për faktin se disa militantë ekstremistë të BDI’së, dy ditë para votimit, plasuan “dokumente” që “dëshmonin” se Prof. Bexheti kishte qenë kodosh i UDB’së. Fitorja individuale e Prof. Bexhetit e rikthej në skenë PDSH’në. Kjo përvojë e atëhershme do të duhej ta merakoste tani Prof. Bexhetin, se lufta e tanishme me “dosje” do t’i kthehet PDSH’së...

     E pakuptueshme dhe qesharake do të ishte nëse strukturat drejtuese të BDI’së do të hezitonin t’i kundërviheshin meritueshëm vojvodës, vetëm për hir të konformizmit e frikës të disave që janë në strukturat drejtuese të kësaj partie! Mbase është momenti, - pikërisht për shkak të mosveprimit përkatës të organeve kompetente të shtetit dhe institucioneve të drejtësisë kundër vojvodës, - që të diskutohet me vendosmëri partneriteti në koalicion qeveritar me VMRO-DPMN’në e nacionalistit Grujevski, krahas argumentimit për bllokim të qëllimshëm të anëtarësimit në NATO.  Dhe kjo do të ishte një sprovë domethënëse, nëse Grujevski e ka Ali Ahmetin vetëm partner virtual, kurse vojvodën Menduh Thaçi mercenar të diversionit konkret për ta (sh)përdorur si mjet për të defaktorizuar e nëpërkëmbur shqiptarët!

     E pakuptueshme dhe qesharake do të ishte nëse Tirana dhe Prishtina do të vazhdonin të trajtojnë vojvodën Thaçi si lider politik shqiptar! Po ish’komandantët dhe ushtarët e e UÇK’së cilin qëndrim duhet të mbajnë, kur dëgjojnë këso akuzash kaq të rënda, kaq denigruese, kaq ofenduese, kaq antishqiptare!?

 

* ) Kontakti me autorin - i.kelmendi@hotmail.com

Prishtinë, 23. 11. 2010

 

PS: Mbrëmë (22.11.10), nga njësitet speciale policore “Tigra”, është arrestuar Hisen Musliu i Tetovës, ish’funksionar i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Maqedonisë, i dyshuar për falsifikim të “dosjeve”. Që kur u kam bërë analizën e komentimin e “dosjeve”, e kam drejtuar gishtin e dyshimit ndaj këtij personi, që prezantohej si këshilltar i Menduh Thaçit për siguri...

 

( Lexoni: Hisen Musliu - Dosjet i kam marrë nga PDSH-ja )

 

                                                                                                            

( Ilustrimet i bëri moderatori i pashtriku.org )

 

 

 

 

Dosjet e shpifura të oborreve!

 

 

TELENOVELA E SHPIFUR “DOSJA IBAR”

(për Ali Ahmetin)

 

 

Shkruan: Ibrahim Kelmendi ( * )

 

 

     Qysh kur i zbërtheva “dosjet” e Fazli Veliut dhe Musa Xhaferit parashikoja se do të pasonte “dosja Ibar”, e cila do t’i mvishet Ali Ahmetit. Kjo “dosje” u paralajmërua qysh kur u plasuan në opinion ato “dosje”. Për të demantuar dhe diskredituar “dosjen” e Ali Ahmetit, sërish po merrem me analizimin e saj, në mungesë të dokumenteve konkrete (të cilat as që i pres nga ish’shërbimet jugo-sllave dhe as që do t’u besoja). Dëshiroj ta them qysh në fillim, se këtë “dosje” e kundërshton tepër bindshëm vetë veprimtaria patriotike, çlirimtare dhe politike e Ali Ahmetit, e cila ka zanafillë qysh në vitet e 70-ta. Për të lehtësuar kuptimin e zbërthimit dhe kundërshtimit të kësaj “dosjeje”, po bëjë një renditje thjesht numerike. Renditjen sipas kohës nuk e bëjë dot, meqë “dokumenteve” u mungojnë datat dhe numrat e protokollimit. Kurse për fragmentet e përkthyera po përdor shkrimin kursiv. Kjo “dosje”, pjesë të së cilës për herë të parë i publikoi gazeta maqedonase “Dnevnik”, përbën 29 “dokumente” me 56 faqe kopje format A4.

 

 

 

Gazeta “Dnevnik”, për herë të parë i bëri publike “dosjet” e oborreve.

 

                                              

*   *   *

     (“Dokumenti” nr 1): Ky “dokument” i ngjason formularit të protokollimit kur Ali Ahmeti është rekrutuar të angazhohet si bashkëpunëtor i SDB’së federative. Nuk përmban datë dhe nr. protokollimi. Që këtu të lind bindja për falsifikim, meqë SDB’ja federative nuk duhet të ketë qenë aq sharlatane, sa të mos të vë datë e nr. protokollimi.

  “Emri:                           Ali

  Mbiemri:                       Ahmeti

  Datëlindja:                    4 janar 1959

  Vendlindja:                   Zajazi

  Republika:                     RS Maqedoni

  Vendbanimi:                  ./. (nuk ka plotësim)

  Gjendja martesore:        ./.

  Kualifikimi:                   i lartë

  Shkalla e angazhimit:    bashkëpunëtor

  Pseudonimi:                            IBAR

  Baza (arsyeja):              gatishmëria (personale)

  Mjedisi:                         ekstremistët

  Dosja:                           bazike në SDB RSUP SR Srbije

  Përcjellës:                      SDB SSUP drejtoria I dhe II

  Dokumentacioni:           në emër (konkret)

  Raportimet:                   të marra në kontaktim të drejtpërdrejtë

  Ndihmëse:                     përcjellësi - lidhja operative OO

Regjistruar:                            1981

Data:                                      ./.

Arkiva:                          Albanski ekstremisti (ekstremistët shqiptarë)

Dokument:                     deklarata vetanake për pranim të bashkëpunimit

Të tjera:                        ./.

Plotësoi:                        punëtori operativ i CAOP SDB SSUP

Gjurmë:                         Mikrofilmuar 01702 – 0023481”

Firmosje (e fotokopjuar): “Komandanti i drejtorisë ... Nikolic”

     E përktheva këtë “dokument” bazik për t’i bërë komentimin vijues: Nuk më besohet se ai institucion aq kompetent, - SDB’ja (ish UDB’ja) federative, - të mos evidentoj emrin e babës, kur dihet se ashtu kanë vepruar në dokumentet më elementar, për të saktësuar identitetin. Pastaj viti i rekrutimi figuron 1981, por rubrika e datës është zbrazët. Nuk më besohet se ai institucion të mos e dinte se viti ka 365 ditë dhe se nuk është njësoj nëse rekrutimi ndodh në fillim, në mes ose në fund të vitit. Falsifikuesi qëllimisht nuk ka vënë datë, meqë i është frikësuar alibisë seë Ali Ahmetit, pasi, po të evidentohej data, ai do kishte mundësi të dëshmonte vendndodhjen e vërtetë, gjegjësisht pamundësinë për të qenë atë ditë në Beograd në selinë e SDB’së federative. Të habit fakti se përse falsifikuesi nuk ka ofruar asnjë “dokument”, ta zëmë me nënshkrim autentik të Aliut, mbi gatishmërinë dhe kontratën e tij për bashkëpunim.

 

 

Tiranë, fundi i majit 1997: Qerim Kelmendi - “Dema”, Ali Ahmeti, Ramush Haradinaj dhe Adrian Krasniqi - “Rexha”, në banesën e Adrianit në Tiranë.

 

 

     (“Dokumenti” nr 2): Ky “dokument” ka vetëm një shkarravitje në vendin e datës dhe protokollimit, pa asnjë kuptim. Kurse për titullar ka Ministrinë e Brendshme të ish’RSFJ’së dhe SDB’në federative.

 “Lënda: Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu

Lidhja: Raportimi ynë nr 020103434 i datës 05.07.85

Jemi dakord që raportimet e Ali Ahmetit për aktivitetet e emigracionit armiqësorë shqiptar mund të pranohen edhe përmes kushëririt të tij Fazli Veliu.”

     Sikur bëhet fjalë për “dokument” të përpiluar pas 05. 07. 1985. Nënsekretari i SDB’së federative (Srdja Andijevic) sikur e ka ngatërruar se raportin në mes të Aliut e Fazliut, meqë ata nuk janë kushëri, por nip dhe dajë, siç e kanë precizuar në “dokumentet” tjerë.

“Kemi për bazë kontributin e paçmueshëm të Fazli Veliut që të angazhon Ali Ahmetin, ekstremist nga Maqedonia”, për bashkëpunëtor të Shërbimit për siguri të shtetit.”

     Këtu na del se Fazli Veliu e ka angazhuar Ali Ahmetin, gjegjësisht se Fazli Veliu ka pas rrol më të madh, por kur të kemi parasysh pamfletët tjerë të kësaj “dosjeje”, shihet se SDB’ja përvetëson meritën për rekrutim të Aliut, pa ndihmën e Fazliut.

 “Gjithashtu kemi parasysh kontributin e paçmueshëm të Vazli Veliut në prerjen e veprimtarisë armiqësore të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla i dhe Kadri Zeka, të cilët kanë vdekur në atentatin e 17.01.1082.”

     Ky farë falsifikatori vërtetë është sharlatan. Në “dosjet” tjera ka bërë falsifikime se Fazliu është rekrutuar në vitin 1977 dhe përmes tij na qenkësh rekrutuar edhe Aliu, se Fazliu ka luajtur rrol të paçmueshëm dhe tani sikur mundohet të lut e të bind SDB’ja federative SDB’në republikane (të Serbisë), që raportimet e Ali Ahmetit të bartën edhe përmes “kushëririt” të tij, Fazli Veliut. Kjo tingëllon sikur Fazliu do bëhet korrier i Aliut. Absurde! Sikur nuk meriton komentim më të gjatë.

 “E nevojshme është që të më lartë përmendurit t’i caktohet pseudonim i veçantë dhe mënyra e takimit si dhe mënyra e pranimit të raportimeve.”

Falsifikuesi sikur ka harruar që Fazliut i janë caktuar pseudonimet qysh në vitin 1977! Përse do të duhej të kishte arsye të kërkonte caktimin edh të një pseudonimi!?

 “Ju lutem që gjatë përgatitjes se këtyre aksioneve operative të keni veçanërisht parasysh faktin se duhet mbrojtur Fazli Veliun, duke pasur parasysh faktin se i përmenduri me kërkesë të tij kontrollon Ali Ahmetin dhe e orienton atë drejtë grupeve që janë me interes të veçantë për Shërbimin për sigurimin shtetërore.”

     Falsifikuesi sharlatan sajon naivisht se SDB’ja federative lut SDB’në republikane që t’i besohet Fazliut për të qenë korrier i Aliut në bartje të raportimeve, edhe pse Fazliut i është dhënë për detyrë që të kontrolloi Aliun, njëherit ta orienton atë drejt grupimeve të rrezikshme! Këto pështjellime, gjithsesi janë qesharake. Nuk më besohet të ketë lutur SDB’ja federative SDB’në republikane, meqë e para ka qenë strukturë sipërore e shtetit në këtë lëmi. Nuk më besohet se në këtë dokument lutet Fazliu, i cili në “dosjen” e sajuar për te, i janë dhënë përgjegjësi më të mëdha se sa Aliut.

 Ekziston mundësia që Fazli Veliu të regjistrohet si rezident i SDB-së meqë kemi parasysh se i përmenduri në kohën e shkuar e ka propozuar kushëririn e tij Ali Ahmetin për angazhim me status të bashkëpunëtorit.”

     Nuk po kuptohet nëse SDB’ja federative po i propozon SDB’së republikane, ose vetëm po parashikon. Sërish sikur përpiluesi, - hiç më pak se nënsekretari i SDB’së federative, Srdan Andrejeviq, - nuk është i informuar se Fazliu e ka nip Aliun dhe jo kushëri. Unë kam bindjen se këto pështjellime kompetencash në këtë “dokument”, ngatërrimi i relacioneve familjare dhe shumë gjera të tjera, nuk do t’i kishin shpëtuar nënsekretarit Andrejeviq. Këto u kanë ndodhur vetëm falsifikatorëve sharlatanë...

 

     (“Dokumenti nr. 3): Logoja e “dokumentit” kopje përmban stemën e RSFJ’së, dhe titullarët: “RSF e Jugosllavisë/Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme”. Në shabllon përkatës figuron e evidentuar: “Drejtoria e II-të e SDB SSUP” (që do të thotë SDB-ja federative) dhe me nr. Të protokollimit: “Str.pov. 02-365/07” Rëndom numri 07 në fund të shifrës së protokolimit paraqet vitin. Nëse është kështu, atëherë stema e RSFJ’së dhe titullimi RSF e Jugosllavisë nuk korrespondojnë fare me vitin, sepse në këtë vit nuk ekzistonin as stema dhe as RSFJ. Datë formulimi nuk ka as ky “dokument”, edhe pse letra me logo ka vendin për datë. Interesant, si janë orientuar në kohë me këta “dokument” komandantët e lartë të SDB’së federative dhe më duket e pabesueshme që ata kanë përpiluar dokumente pa datë, fund e krye të dokumentit. Besoj se këto lëshime, - mospërputhja e logos se letrës zyrtare me vitin, mungesa e datës, - janë produkt gjatë falsifikimit nga kodoshë (UDB’ash) sharlatanë.

                   “SDB RSUP SR Makedonije

II Sektor

Lënda: Kërkohen të dhëna

Nga burim i besueshëm i SDB-së, pseudonimi “Ibar”, kemi marrë informata për aktivitete armiqësore të personave vijues

Aziz Polozhani,          

Rizvan Sulejmani,

Hazbi Luka dhe

Hisni Shakiri.

                   Ju lutemi që të na jepni vërtetësinë operative për personat e paraqitur.

                   Ndihmsi i komandanti të drejtorisë Predrag Djordjeviq. (nënshkrimi)”

     Shfaqa vlerësimin më lartë se shifra 07 në fund të shifrës se protokollimit paraqet vitin 2007, atëherë ky dokument bie në ujë, sepse në këtë vit nuk ekzistojnë as SDB’ja federative dhe as SDB’ja republikane e Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Meqë “dokumenti” nuk përmban datë, nuk kam se si të bëjë koment konkret.

 

     (“Dokumenti nr 4): Falsifikimi ka të montuar për titullar Sekretariatin Federativ për Punë të Brendshme, kryekreje stema dhe RSFJ, pason “Shërbimi për informim dhe dokumetacion, drejtoria për emigracion”. Ky sektor shfaqet për herë të parë në gjithë dokumentacionin!? Nuk ka datë dhe nr. protokollimi. I mungon çfarëdo lloj shifre, siç i kanë “dokumentet” tjera një shifër shumëshifrore, në anën e djathtë.

         “Lënda: Ali Ahmeti, informim

Nga burimi ynë i besueshëm në Zvicër, kemi marrë informacion se në Cyrih Zvicër është mbajt takim i shqiptarëve ekstremistë.

Takimin e ka organizuar burimi ynë, Ali Ahmeti, me qëllim që të formohet shtabi i të ashtuquajturës “Ushtria e Armatosur e Kosovës”, emri publik i të cilës do të ishte OVK.

Në takimin që është mbajtur në një banesë në afërsi të Cyrihut kanë marrë pjesë Fazli Veliu, Xhavit Haliti, Gefurr Elshani, Sejdi Geci, Bardil Mahmuti, Halil Selimi dhe burimi ynë Ali Ahmeti.”

     Të habit fakti se përse në këtë “dokument” nuk përmendet fare pseudonim “Ibar”, por emri “Ali Ahmeti”?! Garantoj se një takim i tillë, me këtë përbërje dhe për këtë qëllim, nuk është mbajtur asnjëherë në Zvicër. Për këtë mund të dëshmojnë Xhaviti, Gafurri (të cilit ia kanë shkruar emrin gabimisht), Sejdi Gega (të cilit ia kanë vënë gabimisht mbiemrin “Geci”, Bardhyli dhe Halil Selimi. Ky i fundit kurr nuk ka qenë në Zvicër, as ilegalisht dhe as legalisht. Le të tallemi për një qast: Organizimet tona, LPK dhe UÇK, paskëshin qenë aq të fuqishme, sa për të infiltruar Ali Ahmetin në ato nivele, që të dezinformojë instancat më të larta të shërbimeve federative, ndaj të cilit komandantët madhor e komandues të SDB’së federative paskëshin pas besim absolut!!! Meqë ky takim nuk ka ndodhur, nuk ia vlen të përkthej broçkullat vijuese në këtë pamflet të sajuar. Po them falsifikues, meqë duhet të kenë qenë më shumë se një, nga se tekstet e sajuara ndryshojnë nga “dokumenti” në “dokument”. Ato përmbajnë edhe gabime të rëndë gjuhësor, siç me kanë thënë njohësit e mirë të serbokroatishtes.

 

 

Fotokopja e pasaportës, ku figuron emri i njëfarë Aleksandër Antiqit, me të dhëna të tjera shoqëruese, dhe me një fotografi montazh të Ali Ahmetit!

 

 

     (“Dokumenti” nr 5): Edhe ky falsifikim është montuar me logon zyrtare të RSFJ’së dhe të Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme. Kësaj radhe kemi të plotësuar me dorë: “Drejtori II-të e SDB-së, rreptësisht i besueshëm 1128/92”. Ky “dokument” ishte pjesë e “dosjes” se Fazli Veliut dhe është radhitur edhe në “dosjen” e Ali Ahmetit.

“Ditën e 02. 08. 1981 në ambientet e SDB SSUP (shkurtesë zyrtare e UDB’së federative)është zhvilluar bisedë informative me lidhjen operative shumëvjeçare të Shërbimit për siguri shtetërore Fazli Veliu. (...)”

     Ajo ditë ka qenë e diell. Nuk me besohet të ketë punuar Komandanti i drejtorisë së SDB’së federative, Stanko Çollak, emri dhe nënshkrimi i të cilit është vendos nga falsifikues të fund të këtij “dokumenti” prej tre faqeve, meqë ai ka mundur të komandoi shërbëtorin e tij të paraqitej gjatë ditëve të punës. Pastaj, jam i bindur se në firmën ku ka punuar Fazliu në Zvicër, mund të dëshmohet evidenca nga punëdhënësi, se ai ka punuar të hënën pasuese. Si ka mundur Fazliu të arrij punën?!

 “(...) Gjithashtu Fazli Veliu informon se me ekstremistët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka janë të lidhur ngushtë Xhavit Haliti dhe gruaja e tij Violeta, por se në emigracion pëshpëritet se Violeta ka diç me Jusuf Gërvallën.”

     Ja pra, çfarë e paskësh informuar Fazli Veliu SDB’në federative. Edhe nëse është nga falsifikatorët e tepërt është! Por si do të arsyetohen shpërndarësit dhe propaganduesit e këtij “dokumenti”?! Këta sikur përbetohen në krye të heroit Jusuf Gërvalla, bile e mashtruan të vëllanë, Hysenin, të vinte për vizitë “zyrtare”, të defilonte në konferencë shtypi me ata që po shpërndajnë, po propagandojnë e po mbrojnë vërtetësinë e këtyre “dosjeve”, për të demonstruar lidhjet e ngushta dhe simpatitë e këtyre kretenëve me Familjen Gërvalla. Sa keq ndjehesha për naivitetin e Hysen Gërvallës, i cili e kishte hëngër karremin se gjoja ishte aty në vizitë “zyrtare”. Edhe më shumë po më vije keq, për të mos nxjerrë të vërtetën se po me hidhëron deri në tërbim përgojimi i shpifur i Jusufit dhe bashkëshortes se Xhavit Halitit! E po, si paskëshin mundur të kenë diç në mes tyre njerëzit që nuk janë takuar në jetë dhe nuk janë njohur fare?! Për hirë të Zotit dhe për hirë të Heroit Jusuf, shpërndarësit, propaganduesit dhe mbrojtësit e vërtetësisë se këtyre “dosjeve” është dashur të paktën këtë “dokument” ta censurojnë (të mos e shpërndajnë)! Kurse bashkëshortes së Xhavitit (e cila nuk e ka emrin Violetë) si do të mund t’i japin llogari këta kretenë të shpifur?!

 “Për këtë Veliu ka biseduar me Selim Halitin (vëllau u Xhavitit -sqarimi im) i cili ia ka vërtetuar se gruaja e Xhavit Halitit, Violeta, nuk është larg prostitucionit dhe fshehurazi takohet me njërin nga vëllezërit Gërvalla edhe pse ka fëmijë.(...)”

     No coment! Nuk po e komentoj fare, sepse frikohem se edhe duke e komentuar po bëjë një gjynah, gjegjësisht një faj të rëndë! or duhet bërë sqarimin, se edhe po të kishte qenë Fazliu kodosh dhe i pa cipë (mos qoftë e thënë nga goja ime!), siç po mundohen ta diskreditojnë me këto “dosje” kretenët e shpifur, ai nuk do të dinte të formulonte këtë dezinformatë, meqë jam i bindur se ai në vitin 1981 nuk i ka ditur fare emrat e Xhavit Halitit dhe bashkëshortes se tij, meqë këta në atë kohë ishin në Kosovë!

 

     (“Dokumenti” nr 6): Edhe ky falsifikim është montuar në kopjen e letrës zyrtare të Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme, kabineti i nënsekretarit të SDB’së federative. Kurse nga shkarravitja e qëllimshme (ndoshta për të ndryshuar falsifikuesi kaligrafinë nga “dokumenti” në “dokument”), sikur është evidentuar nr. i protokollit: “01--2/89”. As në këtë dokument nuk kemi datë të sakt(!).

 

         “Informatë speciale

Shërbimi për sigurinë shtetërore ka ndërmarrë operacion special “trn” ndaj pjesëtarëve të emigracionit armiqësor ustash (kroat - sqarimi im) e shqiptar.

Akcioni është kryer me 26 nëntor 1989 (festimi i ditës se flamurit shqiptarç në Shtutgart, Gjermani. (...)

Përmes lidhjes sonë operative Ali Ahmeti, të cilin Shërbimi e ka infiltruar në bërthamën terroriste, grupimi armiqësor shqiptar i mbledhur rreth të ashtuquajturës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, të cilën e kanë formuar ekstremistët Kadri Zeka dhe Vëllezërit Gërvalla.

Këto ditë në Shtutgart është mbajtur tubim i përbashkët i përfaqësuesve të emigracionit armiqësor ustash (kroat) dhe shqiptar, qëllimi i të cilëve ka qenë veprimtaria e përbashkët. Në tubim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e HNV-së, Petar Hiniq, Malkica Dugeq, Tomo Naletiliq nga Shtutgarti, Josip Lediq nga Frankfurti, ekstremistë e terroristë, si dhe ata të grupimit armiqësor shqiptar, Xhavit Haliti, Raif Gashi, Bardhyl Mahmuti, Emrush Xhemaili, Musa Xhaferri, Ali Ahmeti, Emin Fazlija, Fazli Veliu dhe të tjerë.

(...) Sipas raportimeve të bashkëpunëtorit Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu, në këtë tubim është bërë kërkesa për të ndërmarrë aksion ofensiv kundër vendit.

(...) Për këtë qëllim me 26 nëntor 1989 është thirrë demonstrata e përbashkët ustasho-shqiptare (për herë të parë përdoret shprehja “siptarsko”) në Shtutgart.

(...) Bazuar në raportin operativ, i cili është përgatit nga lidhja kualitative operative Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu, Shërbimi ka koordinuar organizimin e demonstratës dhe ka përgatitur aksionin operativ “TRN”.

Në kuadër të aksionit “TNT” janë marrë masat vijuese:

- Është bërë identifikimi i mbi 100 pjesëtarëve të emigracionit ustash-shqiptar, për të cilët Shërbimi nuk ka pas informata se janë të angazhuar armiqësisht

- Përmes pozicionit bashkëpunues të Ali Ahmetit e Fazli Veliut, Shërbimi ka bërë dokumentime, foto, fono dhe video regjistrime për demonstratën e përmendur

- Me akcion të përbashkët, nëpërmjet pozicionit që kanë siguruar Ali Ahmeti e Fazli Veliu, në pjesën përfundimtare të demonstratës ka ardhur deri të hedhja e bombave lotsjellëse, me peshë specifike, me ç’rast demonstrata është thyer...

- Mbi 60 veta, pjesëmarrës të demonstratës, kanë kërkuar ndihmën mjekësore (...)

     Shpifje famoze! As nuk ka ndodhur ai tubim dhe as ajo demonstratë. Për këtë mund të dëshmojnë shumë veta, emrat e të cilëve u përmendën më lartë. LPRK’ja nuk ka bashkëpunuar në këtë nivel me emigracionin e organizuar kroat dhe as me Emin Fazliun. Nuk më besohet që kabineti i nënsekretarit të SDB’së federative të ketë sajuar dezinformata të këtij niveli për t’ia servirur organit më të lartë të RSFJ’së: Këshillit Federativ për Mbrojtje të Rendit Kushtetues! As Aliu dhe Fazliu, edhe po të kishin qenë kodoshë, nuk do të kishin ditur dhe nuk do të kishin guxuar të sajonin shpifje të tilla kaq famoze.

 

     (“Dokumenti” nr 7): Ky falsifikim i mvishet Ministrisë Federative për Punë të Jashtme. Në krye mban kopjen e logos së letrës zyrtare të RSFJ’së. Kësaj radhe ka një protokolim: “str.pov. 02/68”, por nuk ka asnjë datë. Teksti i falsifikuar flet “për rregullim të statusit të bashkëpunëtorit Ali Ahmeti”. Nuk ia vlen të përkthehet e as të komentohet.

 

     (“Dokumenti” nr 8): Ky “dokument” ka për titullar ministrinë e jashtme të RSFJ’së, protokollimin: “str.pov. 01/3245”.

         “Lënda: Ali Ahmeti, informim

Sipas udhëzimit tuaj konzulli ynë M.K. në Zhenevë, i ka dorëzuar të holla në cash, të cilat sipas shkresës suaj str. pov. nr 12312/09 i janë dedikuar Ali Ahmetit, emigrantit shqiptar me banim në Zvicër.

(...)

Në takim Ali Ahmeti ka dorëzuar dy kaseta video me incizime të ushtrimeve të terroristëve shqiptarë në një kamp të lëshuar, llogore, në kufirin e Zvicrës dhe Francës. Në incizim shihen Xhavit Haliti, Xhafer Shatri, Fazli Veliu, Selim Rexhepi, Florim Maloku, Bardhyl Mahmuti, Sabri Aliu dhe një njeri i veçantë, për të cilin Ali Ahmeti thotë se e ka pseudonimin “kuri”. (...)”

     Edhe ky tekst është shpifje famoze. Nuk kemi pas kampe atje dhe nuk janë bërë ushtrime. Për këtë mund të dëshmojnë të gjithë personat e përmendur. Nuk më besohet që strukturat më të larta federative të kenë sajuar këso dezinformatash.

 

 

 

Faksimili nga “dosja - IBAR” e shpifur nga kodoshët udbashë!

 

 

     (“Dokumenti” nr 9): Ky “dokument” ka për titullar të falsifikuar ministrin federative të punëve të brendshme, ka në shifër: “str.pov. 02-0119810”.  Teksti i këtij falsifikimi flet për statusin e Ali Ahmetit, Fazli Veliut e Musa Xhaferrit. Për këta tre “bashkëpunëtor” informohen hiç më pak se Këshilli për mbrojtjen e rendit kushtetues, Radmillo Bogdanoviqi (ministër i brendshëm - sqarimi im), Budimr Lonçarit (ministër i jashtëm), Petar Garashaninit (ministër i mbrojtjes). Merre me mend, informohet kreu i RSFJ’së se këta tre veta janë “bashkëpunëtor” të SDB’së. Aferim për fantazinë e falsifikuesve!

 

     (“Dokumenti” nr 10): Falsifikimi i radhës ka për titullar ministrin e punëve të brendshme të RSFJ’së, Shërbimin për informim dhe dokument. Nuk mban datë, kurse protokollimi është i padëshifrueshëm. Teksti është montuar në letër të montuar zyrtare.

         “Lënda: Ali Ahmeti, të dhëna

Në kontakt me Ali Ahmetin, pozicionimin tonë shumëvjeçar në mesin e emigracionit armiqësor shqiptar, jemi informuar se individ brenda grupeve të emigracionit po intensifikojnë veprimtarinë armiqësore.

Ali Ahmeti tërheq vërejtjen se ekstermizmit të veçantë, për të ndërmarrë aksione të zgjeruara terroriste, po i qaset Ibrahim Kelmendi, të cilin po e përmban gruja e tij Mimoza, me gjasë e përkatësisë shtetërore shqiptare dhe në lidhje është Shërbimi informativ gjerman.”

     Uhhh, u shqetësova se do të më harrojnë fare Aliu, më saktësisht: Falsifikatorët! Pardon: M’i rrofshin k... falsifikatorët, shpërndarësit, propaganduesit e mbrojtësit e vërtetësisë se këtyre “dosjeve”! Falsifikatorët ia kanë futur vërtetë kot! Ta zëmë, nëse do të ishte e vërtetë se ky “dokument” është përpiluar nga SDB’ja federative në vitet e 80’ta (meqë në vitet e 90’ta nuk ka ekzistuar RSFJ dhe SDB’ja federative e saj, atëherë unë nuk kam qenë i martuar në atë kohë.

 “Gjithashtu bashkëpunëtori potencon grupimin rreth Bujar Bukoshit, Nexhmije Hoxhës, Hysni Milloshit të theksuar, Agush Bujës, Kadri Veselit i cili ka pseudonimin (Lilli), me gjasë për shkak të prirjeve pedofilie.”

     Hajde shpifje, hajde! Mjerë shërbimet informative federative sa të dezinformuar paskëshin qenë!

 “Gjithashtu Ali Ahmeti potencon se Musa Xhaferi / lidhja jonë operative / sipas rastit mban lidhje me ndonjë polici të fshehtë jugosllave, nga se Xhaferi, i cili punon si mësues në Lucern, ka pagë të vogël dhe gjithherë ka shumë para, mban rrobat më të shtrenjta, tani ka zënë stan në një shtëpi për të cilin paguan disa mijëra franga. Në emigracion dyshohet se Xhaferi i jep informata shërbimit informativ slloven. (...)”

     Risi pikante! Aliu spiunon Musën! Do i lusja falsikatorët që të merren me shkrimin e romaneve të trilluara kriminalistike, sapo të evitojnë sharlatanizmin e tyre aktual dhe dashakeq.

 

     (“Dokumenti” nr 11): Falsifikimi i radhës i dedikohet panairit të librit në Frankfurt dhe takimeve të mbajtura në mes të Ali Ahmetit, Fazli Veliut, me emigrantë kroat si dhe me publicistin gjerman Rullman. Ky “dokument” ka qenë pjesë e “dosjes” se Fazli Veliut, atje e kam shqyrtuar, prandaj nuk po e shqytoj edhe një herë. Mjafton të them këtu, se kemi të bëjmë me shpifje tepër dezinformuese.

 

     (“Dokumenti” nr 12): Ky “dokument” përmban disa fotografi koti, të cilat gjoja i paskësh bërë Ali Ahmeti. Nuk di ta ketë parë ndokush ndonjëherë Aliun të ketë mbajtur fotoaparat dhe mendoj se edhe sot ai nuk di ta përdor fare.

 

     (“Dokumenti” nr 13): Edhe ky “dokument” ka për titullar ministrin e punëve të brendshme të RSFJ’së. Paraqitja simulon formatin e dokumentin zyrtar. Nuk ka datë, përmban një nr protokollimi: 01/0203-05. Është një udhëzim për të kontrolluar gjithë angazhimet e bashkëpunëtorëve të SDB’së federative, me konkretizim bashkë -  punëtorët me nofka “DRIM”, “PRIJATEL”, “VLADO”, “KOMI”, “IBAR”, “BOND”. Nuk kam koment konkret, meqë këtu figurojnë vetëm ca nofka, pa emra shoqërues konkret.

 

     (“Dokumenti” nr 14): Ky “dokument” ka për titullar të sajuar ministrinë e brendshme të RSFJ’së, gjegjësisht SDB’në. Nuk ka datë, ka një shifër: 234/01-0102. Ngjan me dokument zyrtar.

         “Lënda: Ali Ahmeti - regjistrimi i bashkëpunëtorit

Me propozim të RSUP SR Maqedonisë, Shërbimit të sigurimit shtetëror dhe në pajtim me PSUP Kosova i Metohija, (nënvizimi im) Shërbimit të sigurimit shtetëror, në kolegjiumin I dhe II të drejtorisë SDB SSUP, me praninë e përfaqësuesit SDB RSUP SR Serbisë, është shqyrtuar propozimi për angazhimin si bashkëpunëtor i shërbimeve të përmendura qytetari i RSFJ-së Ali Ahmeti.”

     Nuk besoj të jetë diskutuar në këtë gremijum kaq të lartë e kaq përfshirës për të miratuar një qytetar si bashkëpunëtor. Nëse kështu vërtetë do të kishte qenë si praktikë, atëherë si ia kanë arritur këto gremijume të miratojnë dhjetëra mijë bashkëpunëtor?! Gjithashtu nuk me besohet se në dokument, ndoshta të vitit 1980/81, të jetë përdorur emri “Kosovë e Metohi”, meqë atëherë Kosova është quajtur Kosovë dhe ka pasur edhe Kushtetutë të saj me këtë emër të sanksionuar, po ky emër zyrtar ka qenë edhe në Kushtetutën e RSFJ’së. Këtë duhet ta ketë harruar falsifikuesi, ta zëmë nacionalisti Zhivorad Spasiq, që prezantohet si oficer madhor i SDB’së, e i cili ditëve të fundit me zell të madh po mundohet të dëshmojë vërtetësinë e këtyre “dosjeve” në televizionet maqedonase. Atij duhet t’i ketë shpëtuar ky “detal” teknik gjatë falsifikimit të “dosjeve”, e nuk do të duhej t’i shpëtonte, sepse është “detal” që e dekonspiron - ai ka dëgjuar me këtë rast pasionin dhe jo mjeshtrin, pa u përmbajtur së shfryri dufin e tij nacionalist-shovinist antishqiptar.

 “Në propozim është evidentuar se Ali Ahmeti, i lindur me 04.01.1959 në fshatin Zajazi në RS të Maqedonisë, është shtetas i RSFJ dhe rrjedh nga familja e cila ka qëndrim lojal ndaj rendit kushtetues të vendit dhe nuk është i regjistruar se merret me punë të ndaluara, as me terrorizem. I përmenduri është anëtar i LKJ.”

     Pa pasur nevojë të konsultojë Aliun, mendoj se ai nuk ka qenë anëtar i SKJ. Të dhënat e evidentuara këtu me duken nën nivelin që u takon këtyre organeve, ta zëmë se nuk merret me terrorizëm.

 “Në arsyetim të bashkangjitur gjendet edhe besueshmëria operative për familjen e Ali Ahmetit, e cila është pjesë përbërëse e këtij dokumenti e të cilin e ka hartuar RSUP RS Maqedonisë - Shërbimi i sigurisë shtetërore.

(...) Me siguri të madhe mund të thuhet se Ali Ahmeti, në fillim të vitit 1980, me rastin e qëndrimit ilegal në Shqipëri, ka kontaktuar organet e sigurisë se atij vendi dhe ka rënë në kontakt me shërbimin informativ shqiptar. Sipas lidhjes operative “DRAC” Ali Ahmeti ka marrë detyra operative përkatëse, qëllimi i të cilave është shkatërrimi i rendit kushtetues dhe shtetëror të RSFJ-së, e që duhet t’i zbatojë në universitet në Prishtinë (Për këtë janë informatat nga DKP-SID ynë nga Tirana.) si dhe shënimet zyrtare të punëtorit operativ të Qendrës së sigurisë në Prishtinë.”

     Hajde merre vesh se çfarë lidhmërie ka pasuesi pararëndës me këtë!? Vlerësime krejt kundërthënëse!

 “Se si i ka krijuar Shërbimi për sigurinë shtetërore kushtet për qasje operative ndaj Ali Ahmetit, dhe kjo përmes SDB RSUP SR Srbije dhe punëtorit operativ SDB SSUP, janë krijuar kushtet që nga OO i përmenduri të kaloi në status bashkëpunëtori.”

     Ose nuk më mjaftojnë njohurit gjuhësore për të përkthyer saktësisht këtë fjali, ose falsifikuesi e ka formuluar karrabytht. Vlerësimi i mësipërm rezulton që Ali Ahmeti të jetë angazhuar për shërbimet informative të Shqipërisë, kurse në konstatimin pasues, ai sikur kërcen ylberin, dhe na bëhet bashkëpunëtor, hiç më pak se i SDB’së federative. Për një 20-vjeçar rrole tepët të mëdha, të njëkohësishme nga shumë shërbime të dy shteteve?! Mua nuk me ka rastisur të dëgjoj nga Aliu dhe nga ndonjë tjetër se ai ka qenë ilegalisht në Shqipëri në vitin 1980. Nëse po, ka shkuar vetvetiu ose është dërguar. Nga “dokumenti” del se Aliut po i jepet statusi i bashkëpunëtorit të SDB’së i qenkësh dhënë pasi është kthyer nga Shqipëria. E pakuptueshme!

 “Përgatitet për dërgim të bashkëpunëtorit në Zvicër që të sprovoi mundësitë për depërtimin e tij brenda grupit ekstrem “Fronti i kuq popullor” në Zvicër.”

     Aliu është arratisur në Zvicër në vitin 1984, bashkë me Emrush Xhemailin dhe Gafurr Elshanin. Falsifikuesi nuk ka ditur se Fronti i Kuq Popullor faktikisht ka pushuar së ekzistuari qysh në prill të vitit 1981, kurse juridikisht kur është bashkuar në Frontin/Lëvizjen për Republikën e Kosovës, me 17 Janar 1982. Nuk po më besohet se SDB’ja federative nuk i ka ditur këto zhvillime, sepse në emigracion nuk kemi qenë gjithaq konspirativ e ilegal! E, meqë Fronti i Kuq Popullor përfundon së qenuri me 17 janar 1982, atëherë ç’kuptim ka që SDB’ja federative ta përgatit e ta dërgon në vitin 1984 për të depërtuar në Frontin e Kuq Popullor?! Kësaj mund t’i bie në fije vetëm falsifikuesi sharlatan!

 “(...) Bisedat me Ali Ahmetin dhe anagazhimin e tij do t’i bëjnë punëtorët operativ të SDB-së republikane të Serbisë, sektori II, përmes koordinimit të Drejtorisë se parë e të dytë të SDB-së federative.”

     Sikur rezulton të jetë i ngatërruar ky falsifikim. Në fillim kishim propozimin dhe arsyetimin e SDB’së republikane të Maqedonisë bashkë me SDB’në krahinore të Kosovës, në prani të përfaqësuesit të SDB’së republikane të Serbisë dhe SDB’së federative të RSFJ’së, kurse tani SDB’ja rezulton të jetë përcaktuese që Ali Ahmeti duhet t’i raportoi SDB’së republikane të Serbisë. Po atëherë, përse dokumenti bazik (nr 1) i rekrutimit dhe shumë “bisedime” i kanë bërë shefat e SDB’së federative, siç rezultoi në “dokumentet” e shqyrtuar më lartë. Falsifikuesi i raft në fije...!

“Ky takim operativ të mbahet në Beograd në hapësirat e SDB-së federative në Banjicë.”

     Në fjalinë pararendëse rezultoi se takimet duhet t’i zhvillojnë punëtorët operativ të SDB’së republikane të Serbisë, kurse tani në SDB’në federative. Sa e komplikuar paskësh qenë për t’i dhënë status të bashkëpunëtorit Ali Ahmetit?! Por këtu nuk po del gjëkundi konstatimi se Ali Ahmetit po i jepet statusi i bashkëpunëtorit me pëlqimin e tij, siç është falsifikuar në “dokumentin” bazik të rekrutimit (nr 1).

 “Pas zhvillimit të bisedës me Ali Ahmetin do të rregullohen të gjitha çështjet që përmban Rregullorja për punë e SDB-së federative, nga kasa speciale e se cilës do sigurohen mjetet për punë të bashkëpunëtorit.

Në takim t’i caktohet pseudonimi bashkëpunëtorit

Drejtimet kryesore të aktiviteteve

Leginderimi

Mënyra e mbajtjes se kontakteve

Përgatitja e dokumenteve të nevojshëm.

Pas kryerjes se takimit të bëhet informimi special për Këshillin federativ për mbrojtjen e rendit kushtetues, në përputhje me Rregulloret e punës në SDB-në federative.”

     Sikur rezulton se tek pas kësaj bisede Ali Ahmeti do krijuaka “marrëdhënie pune” me SDB’në federative. Shih tani, ai gremiumi që rezultonte në pasuesin fillestar paska marrë vendim kot se koti, meqë vendimi definitiv u deshka të merrej pas takimit që e përcakton SDB’ja federative, siç rezulton në pasuesin përmbyllës! Broçkulla! Gjithë karrabythje e pshtjellime duhet t’i ketë prodhuar, ta zëmë, falsifikuesi Bozhidar Spasiq, i cili, ndoshta për shkak të moshës dhe pensionimit të hershëm, ka harruar rregulloret e SDB’ve federative, republikane e krahinore. Dyshimin se falsifikues është vetë Bozhidar Spasiq e dëshmon edhe gjuha që përdori në emisionet televizive. Vërtetë, si e gjetën televizionet maqedonase pikërisht Bozhidar Spasiqin për të biseduar për vërtetësinë e “dosjeve”!?

 

     (“Dokumenti” nr 15): Kjo shkresurinë nuk ka asnjë pamje zyrtare, nuk u ngjanë “dokumenteve” tjerë. Nuk ka titullar, nuk ka datë e nr. protokollimi. Ka vetëm një si titull: “Shënime zyrtare”. Në këtë falsifikim rezulton raportimi i rezultatit të “bashkëbisedimit” në mes të Ali Ahmetit dhe inspektorit kryesor të SDB’së ndoshta federative, Aleksander Milanoviq. Nuk me besohet se një inspektor i këtij rangu “bashkëbisedon” me një 20-vjeçar, për ta bindur që të bëhet bashkëpunëtor! Dhe gjithë mënyrën dhe rezultatin e “bashkëbisedimit” e përmbledh në gati një faqe e gjysmë tekst. Këtu ndoshta do të duhej të ishte edhe nënshkrimi i Aliut për gatishmëri, por të kushtëzuar me honorarë të lartë. Hahaha, Aliu 20-vjeçar, nga Zajazi, mund të kushtëzojë një inspektor aq madhor me honorare të larta, pavarësisht se inspektori kishte vegzën për shantazhim të tij - atë të arratisjes ilegale dhe qëndrimit ilegal të Aliut në Shqipëri dhe kthimit me detyra të ngarkuara nga shërbimet shqiptare, ose edhe me prirje për pedofili. Megjithatë Aliu reziston, pranon vetëm me kushte që të paguhet mirë... Turp të kenë falsifikuesit, shpërndarësit, propaganduesit e mbrojtësit e vërtetësisë se këtyre farë dosjeve!

 

     (“Dokumenti” nr 16): Ky “dokument” ishte pjesë e “dosjes” se Fazli Veliut. Kur e shqyrtova atje, parashikova se ditët pasuese do publikohej edhe “dosja” e Ali Ahmetit, dhe atë duke u bazuar në fjalinë:

 “Duke ju falënderuar kooperativitetit të Fazli Veliut. Shërbimi ka vënë në kontakt me kushëririn e tij, djalin e motrës së tij, Ali Ahmetin, i cili është i lindur me 04.01.1959 në fshatin Zajaz të Kërçovës, RS e Maqedonisë.

I përmenduri është regjistruar në statusin e bashkëpunëtorit në vitin 1980/81, kur është infiltruar me udhëzim të SDB-së në grupet brenda universitetit në Prishtinë.”

     Merre me mend, SDB’ja federatat (ish UDB’ja), paskësh pasur lëkur qengji, ndërsa ne mendonim se kishte lëkurë ujku. Formulimi këtu tingëllon sikur SDB’ja federative dhe Fazli Veliu paskeshin qenë partnerë të barabartë dhe prandaj kooperativiteti i Fazliut e paska quar Aliun deri të statusi i bashkëpunëtorit, përndryshe, nuk do të ndodhte. Kurse në dy “dokumente” të shqyrtuar më lartë, thuhet krejt diç tjetër, se qenkësh mbledhur një gremium i përfaqësuesve të SDB’ve të RSFJ, Maqedonisë, Kosovës e Serbisë,  për të shqyrtuar propozimin e SDB’së republikane të Maqedonisë që të marrin vendim nëse do e angazhonin Aliun në SDB’në federative. Në kuadër të procesit për të rekrutuar Aliun, SDB’ja federative jep udhëzime se si do të procedohet. Gjatë seancave, të cilat sipas falsifikuesit paskëshin zgjatur dy ditë, Aliu u qenkësh dorëzuar shantazheve të inspektorit madhor, por, për habi të mendësive të njerëzve normal, tek pasi Aliu ia kishte dalur të impononte shpagimin e shërbimit me honorare të larta. Bravo Ali! Pra, nuk paskesh ndodhur në mënyrë paqësore, siç tingëllon në këtë falsifikim. Pastaj kush do të besonte se Aliu na qenkësh rekrutuar “gjatë viteve 1980/81”, siç falsifikohet se fundi, a kaq sharlatane paskësh qenë SDB’ja federative, sa të mos di datën e saktë, por të shtri procesin e rekrutimit në dy vite?!

 

     (“Dokumenti” nr 17): Ky pamflet i sajuar ka për titullar SFRJ, Ministrin e brendshme, Drejtorinë e II-të (shënuar me dorë, jo si herëve tjera tjetër me makinë / kompjuter), si gjithëherë pa datë dhe me ca shkarravitje në vend të protokollimit.

         “Lënda: Bashkëpunëtori “IBAR” - Ali Ahmeti

         Lidhja: Raporti ynë 123/02 të datës 18.3.1986

Në lidhje me raportin që bashkëpunëtori “IBAR” / Ali Ahmeti / ia ka dorëzuar Shërbimit për siguri shtetërore, vlerësojmë se bashkëpunëtori ka qenë krejtësisht i sinqertë dhe se edhe burimet tjera të SDB vërtetojnë të dhënat që ka dorëzuar “IBAR”.”

     Për herë të parë falsifikuesi shënon emrin konkret dhe pseudonimin pranë e pranë. Se a ka qenë kjo e SDB’së federative, nuk mund të gjykoj, meqë nuk kam pas dokument të saj prej të vërteti për të bërë krahasime. Në vazhdim falsifikuesi sajon informata nga “IBAR” për një llogor me emër “Legjioni i të huajve”, afër kufirit Francë - Zvicër, ku ushtruakan 20 shqiptarë dhe se ata i paskësh vizituar edhe Xhafër Shatri dhe Bujar Bukoshi, se për ato llogore paskësh ditur policia franceze, por nuk i paska penguar, etj. Broçkulla! Kush e beson se Franca, atëherë mikja më e ngushtë e RSFJ’së, qysh në vitin 1986 paskësh ndihmuar ushtrimin e “terroristëve shqiptarë“ në kuadër të njësisë së saj speciale, të njohur me emrin “Legjioni i të huajve”!? Gjithandej po na del, se lidhjet Ali Ahmeti i paskësh mbajtur kryesisht me SDB’në federative, edhe pse në një dokument të shqyrtuar më lartë, nga SDB’ja federative ishte bërë udhëzimi që “IBAR” do të mbaj lidhje me SDB’në republikane të Serbisë! Kjo moskordinancë e falsifikimeve imponon vlerësimin, se këto “dokumente” nuk janë pjellë vetëm e një dore falsifikuese, por janë përzier disa duar.

 

     (“Dokumenti nr 18): Edhe ky pamflet, si të tjerët deri tani, kanë për titullar të sajuar RSFJ, ministrinë e punëve të brendshme, kësaj radhe i formuluar nga nënsekretar SDB’së, pa datë, me shifër 0203-89. Përmes këtij “dokumenti”, nënsekretari i SDB’së me gjas ju drejtohet SDB’së se Serbisë, SDB’së së Kosovës e Metohisë, SDB’së së Sllovenisë.

         “Lënda: Takim operativ

Në Beograd është mbajtur takimi operativ, në të cilin është shqyrtuar aktiviteti i ekstremistëve shqiptarë Xhavit Haliti dhe Xhafer Shatri. Pas raportimit të dy bashkëpunëtorëve / Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu / , “se më nuk janë në gjendje të kontrollojnë tërësisht aktivitetet e Halitaj dhe Shatri”, Shërbimi ka marrë vendim që të ndërmerr akcione operative përkatëse me qëllim që t’u priten aktivitetet tjera armiqësore Xh.H. dhe Xh. Sh. (...)”

     Nuk me besohet se SDB’ja federative ka informuar kaq shumë struktura të nënstrukturuara për plane të saja operacionale, siç ishte ai i vendosjes së bombave në banesa të Xhavitit e Xhaferit, siç nuk më besohet se Aliu e Fazliu paskëshin informuar për pamundësinë e tyre për t’i penguar aktivitetet Xhavitit dhe Xhaferit. Shpifje famoze, falsifikues i çnderuar! Në vazhdim të pamfletit është vazhduar me tekst të falsifikuar, sikur Aliut e Fazliut u është rekomanduar të përcjellin lëvizjet fizike të Xhavitit e Xhaferit, punë që fare këta nuk e kanë bërë asnjëherë.

 

     (“Dokumenti” nr 19): Sërish ky pamflet ka për titullar SDB’në federative, është i pa datë dhe pa protokollim. Kot i qenkemi frikësuar, sepse ai institucion, po të merren për bazë këto “dosje” të shpifura, paskësh qenë një si stallë, që as dokumentacionin e vet se paskësh protokolluar e datuar. E si ta dinin të tjerë vartës të saj pastaj, se cilës kohë i takojnë.

         “Lënda: Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu

         Lidhja: Raporti ynë nr 020103434 të 05.07.85

Jemi dakort që raportet e Ali Ahmetit mbi aktivitetet e emigracionit armiqësor shqiptar mund të merren përmes kushëririt të tij Fazli Veliu.

Me këtë rast kemi parasysh kontributin e paçmueshëm të Fazli Veliut që të angazhojë Ali Ahmetin, ekstremist nga Maqedonia, për bashkëpunëtor të Shërbimit për siguri shtetërore”

     Të habit fakti përse falsifikuesi nuk është informuar se Fazliu është dajë i Aliut dhe jo kushëri dhe edhe ata që kanë punuar në SDB’në federative dajës nuk i kanë thënë kusheri. Pra, ish UDB’ashët, ose siç i thonë në Maqedoni, kodoshët, të dalur tashmë në pension, nuk i paskëshin parë as dosjet e vërteta të UDB’së federative, republikane dhe krahinore që i kanë bërë për Aliun dhe të tjerët gjatë përndjekjes politike dhe fizike që u është bërë patriotëve dhe çlirimtarëve. Kurse sa për meritat e Fazliut për të angazhuar Aliun, e pamë “dokumentin” përkatës se si paskësh ndodhur procedura e rekrutimit të Aliut. Këta dy “dokument” demantojnë njëri-tjetrin, që do të thotë se nuk duhet t’i ketë falsifikuar i njëjti kodosh, gjegjësisht ish UDBash.

 

     (“Dokumenti” nr 20): Tani bëhet fjalë për një fotokopje pasaporta, në të cilin figuron emri i njëfarë Aleksandër Antiq, me të dhëna të tjera shoqëruese, dhe me një fotografi montazh. Secili që e mban mend Aliun e vitit 1989, vit ky që qenkësh lëshuar ky pasaportë false, i kujtohet Aliu me fytyrë tepër imcake dhe frizurë krejtësisht tjetër, me moshë shumë më të re sa duket në këtë montazh. Po të fillonin procedurat hetimore, për të zbuluar e dënuar falsifikatorët dhe për të gjykuar shpërndarësit e propaganduesit e këtyre “dosjeve”, atëherë me lehtësi të madhe mund të hetonin dallimin në mes të këtij montazhi dhe fotove origjinale të para 21 viteve. Edhe gjyqtarët me dioptri të theksuar të syve do të mund të konstatonin se bëhet fjalë për falsifikat flagrant. Pastaj, përse paska pasur nevojë të falsifikoj pasaporta në emra serbësh, për të rrezikuar bashkëpunëtorët në çdo kufi evropian. Rëndom, shpesh policitë kufitare dyshojnë ndaj të huajve. Në rastin e dhënë, ato do të kishin thirrur përkthyes të gjuhës serbe.  Sigurisht, në fjalët e para, përkthyesi do të konstatonte se poseduesit e pasaportave të falsifikuar nuk flasin gjuhën serbishte, siç ka qenë dhe është rasti me Aliun, që pothuajse fare se nje gjuhën serbishte. A ka ndonjë kuptim, nëse Aliu mund të takohet në Zvicër e Gjermani me “diplomatë” të përfaqësive diplomatike jugo-sllave, për të marrë honorarët, siç del nga “dokumentet” vijuese, atëherë përse këta bashkëpunëtor nuk u paskëshin dorëzuar të njëjtëve edhe informimet e tyre!? Gjithë këto janë lajthitje vetëm të falsifikatorëve, kurrsesi të specialistëve madhor të SDB-së federative.

 

     (“Dokumenti” nr 21): Pamfleti i falsifikuar ka stemë të RSFJ’së dhe për të titullar ministrinë e brendshme, gjegjësisht Drejtorinë e II-të të SDB’së federative. Nuk ka datë por ka një si shifër protokollimi: 01-501/86.

         “Lënda: Raportim i bashkëpunëtorit “Ibar”- Gzim Ostreni, të dhëna.

Bashkangjitur ju dërgojmë pjesë të raportit të bashkëpunëtorit “Ibar”, i cili ka të bëjë me njohuritë për aktivitetet e Gzim Ostrenit, i cili dikur ka punuar në MT (mbrojtjen territoriale) në Ohër dhe Dibër dhe të cilin në lidhje e ka mbajtur KOS GS JNA (sigurimi sekret ushtarak jugo-sllav - sqarimi im).”

     Numrin e fundit të shifrës, orientimisht, po e marrë si viti 1986, siç edhe përcaktojnë rëndom. Tjetër datë ky dokument nuk ka. I pas vitit 1999, kur Aliu u kthye në Kosovë si çlirimtar fitues, “dokumenti” nuk mund të ishte, sepse logoja e letrës “zyrtare” ngjan me ato të para vitit 1992, kur është shpërbërë RSFJ. Nëse është kështu, atëherë çfarë kuptimi ka që Aliu të informon SDB’në federative, nga të qenurit në Zvicër, për Gzim Ostrenin që rronte në Maqedoni!? Kjo dëshmon se sa sharlatan ka qenë falsifikuesi i këtij “dokumenti”, se sa e ka shtyer zelli i tepruar për të falsifikuar sa më shumë “dokumente”, që “dosja” të duket sa më e trashë, për të arsyetuar honorarin që duhet të ketë marrë për këtë shërbim të fëlliqur. Por fantazia e falsifikuesit nuk e përballon dot të sajojë kaq shumë shpifje dhe ato të kenë të paktën një rend e rregull minimal logjik. Po ta njihja veprimtarinë e Gzim Ostrenit në vitin 1986 do kisha argumentuar edhe më konkretisht, se ky raportim i shpifur nuk ka të bëjë fare me realitetin.

 

     (“Dokumenti” nr 22): Ky “dokument” është sajuar sikur të ishte prodhim i kabinetit të ministrit të brendshëm të RSFJ’së, nuk ka datë e shifër protokollimi. Merre me mend, edhe kabineti i ministrit federativ të punëve të brendshme nuk i paskësh praktikuar rregullat më elementare - datim dhe protokollim!

“Dokumenti” titullohet: “Informacion special nr 04”

 “Në kuadër të përcjelljes se aktiviteteve speciale të individëve të veçantë nga radhët e emigracionit armiqësor shqiptar, Shërbimi ka ndërmarrë ofensivë përkatëse të aksionit psikologjik ndaj Xhafer Shatrit, ekstremist që jeton në Gjenevë të Zvicrës. Sipas informatave të bashkëpunëtorëve tanë A.A. dhe F.V., Xhafer Shatri udhëheq me operacione sekrete në Kosovë dhe Metohi, të cilat i jetësojnë terroristët e ushtruar në kampe në Francë dhe në Shqipëri. (...)”

     Meqë “dokumenti” paskësh për titullar ministrinë federative të punëve të brendshme, atëherë, rrjedhimisht, kemi të bëjmë me RSFJ’në të paktën në vitet e fundit të ekzistencën e saj. Po të ishte kështu, atëherë do të mund të dëshmoja se në ato vite as Franca dhe as Shqipëria nuk kanë lejuar të ushtrohen terroristë dhe as çlirimtarë në shtetin e tyre, qoftë edhe nën organizimin e Xhafër Shatrit. Edhe po të ishin kodoshë Aliu dhe Fazliu, fantazia e tyre nuk do të prodhonte këso shpifjesh, për të mos thënë se nuk do të kishin guxuar të dezinformonin “punëdhënësit” e tyre. Pra, vetë përmbajtja e tekstit të shpifur e diskrediton vetë “dokumentin” si të falsifikuar dhe falsifikuesin e diskrediton si sharlatan, i cili në asnjë “dokument” nuk ka ditur të sajon ngjarje që do të ngjanin në ngjarjet e vërteta.

*   *   *

     Në vazhdim kemi katër “dokumente” të montuar, sikur i ka përpiluar konsullata e RSFJ-së në Shtutgart. Çuditërisht as këto dokumente nuk përmbajnë data, ndërsa në vendin e paraparë, në këto figurojnë shifra për honorarët 5, 6, 5 e 8 mijë euro, që gjoja i janë paguar Ali Ahmetit. Askund nuk figuron nënshkrimi i pranuesit të honorarit. E pabesueshme! Pasojnë 7 “dokumente” që e kanë për titullar të sajuar në mënyrë primitive ministrinë e punëve të brendshme të Republikës se Serbisë. Nga kjo rezulton se kemi të bëjmë me vitet pasi është shpërbërë RSFJ.

 

     (“Dokumenti” nr 27):  Ky pamflet është një falsifikim i llojit të tij, që i mvishet ministrisë se brendshme të Serbisë, resori sigurimi shtetëror. Nuk ka datë, ka një shifër: “01 Cp. 20-10888/91”.

         “Bashkëpunëtori  “I B A R”

(...) Raportet më të shumta (nga “Ibar”) i kemi për grupin në Universitetin e Prishtinës, duke informuar edhe për Rexhep Qosjen, Mark Krasniqin, Fehmi Aganin, Ibrahim Rugovën, Ramiz Kelmendin.

(...) Bashkëpunëtori “Ibar”, me detyra të ngarkuara, tre herë ka qenë në Shqipëri, ku është takuar me persona interesant të shërbimeve të atjeshme...

Me plan të veçantë të akcioneve operative “Vozovoxha” bashkëpunëtori “Ibar” është hedhur në emigracion...

Bashkëpunëtori “Ibar” dhe Fazli Veliu / pseudonimi “shok” / kanë formuar dhe kanë marrë pjesë në formimin e disa organizatave në emigracion, të cilat SDB-ja i mban nën kontroll të plotë.

Para se gjithash bëhet fjalë për “Legalitetin”, “Lëvizja Popullore e Kosovës”, kurse Veliu ka qenë në themelimin e “Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, e cila në vitin 1982 është formuar në Gjermani. ”

     Storie argëtuese na ka ofruar ky farë falsifikuesi në këtë “dokument” të shpifur. Ta zëmë se Aliu paska spiunuar edhe profesorë të përmendur të Universitetit të Prishtinës. Por si paskësh qenë e mundur ti ngarkohet një brucoshi (studenti fillestar) kjo detyrë kaq e madhe, kur dihet se ai nuk do të kishte mundësi as ti kontaktonte këta profesorë?! Falsifikuesi na falsifikon tre, po tre herë (rëndom ky numër përdoret nga ata që gënjejnë) dërgimin e Aliut në Shqipëri, kurse unë jam i bindur, pa asnjë dilemë, se ai asnjëherë nuk ka qenë në Shqipërinë londineze para vitit 1992!

     Aliun nuk e ka hedhur SDB’ja në emigracion. Arratinë e tij e kanë përgatit bashkëveprimtarët dhe ka arritur në ekzil në vitin 1984. Dhe që kur ka ardhur në ekzil, nuk ka themeluar dhe as nuk ka bashkëthemeluar asnjë organizatë. E gjeti të gatshme Lëvizjen, të themeluar nga organizatat që përfaqësonin Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi, definitivisht me 17 Janar 1982. Fazliu, Aliu dhe Musa Xhaferi vetëm janë kyçur në këtë Organizatë dhe aty e tutje kanë dhënë kontribut me vlerë të madhe kombëtare. Edhe me para të shumta nuk mund të blihet ndonjë kuadër i asaj Organizate, që do të bënte deklaratë pro këtyre “dosjeve”! Në fjalinë vijuese falsifikuesi na sajon një pseudonim të ri për Fazli Veliun, atë “shok”. Me gjasë, “dosjen” për Aliun e ka përgatit falsifikues tjetër, dhe jo ai që e ka përgatit atë të Fazli Veliut. Në gjithë atë “dosje” nuk figuron pseudonimi “shok”, tek tani e sajon falsifikuesi tjetër.

     Edhe një herë: Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu nuk kanë formuar dhe nuk kanë marrë pjesë në formim të asnjë organizata në emigracion. Ata vetëm janë inkuadruar në Lëvizjen Popullore, që e kanë gjetur të formuar. Kurse ajo Lëvizje, në Kuvendin e saj të III-të në Prishtinë në vitin 1993, ka marrë vendim për të formuar forcën e armatosur, e cila mëpastaj është emërtuar Ushtria Çlirimtare të Kosovës. Në këtë themelim, sidomos Aliu, ka luajtur rrol të madh. E potencova këtë, sepse falsifikuesi shpif se Fazliu ka ka marrë pjesë në themelimin e “Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës”. Nuk është e vërtetë, nuk ka marrë pjesë në themelimin e Lëvizjes në Gjermani. Siç sqarova, bisedimet përfundimtare për themelim të Lëvizjes i kanë bërë tre përfaqësues të organizatave të tyre, të autorizuar, e që ishin Jusufi, Kadriu dhe Ibrahimi (me 17 Janar 1982). Sa për lëvizjen Legaliteti, ajo ka ekzistuar qysh në Luftën e Dytë Botërore, kurse në Perëndim është themeluar nga emigracioni “zogist” në Amerikë dhe në Belgjikë. Nga kjo shihet se çfarë shpifje flagrante ka bërë falsifikuesi. Jam i bindur se SDB’ja ka pas informata të sakta, kur është themeluar “Legaliteti”, sigurisht ka pas informata edhe kur është themeluar Lëvizja Popullore e Kosovës, që është vazhdim i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, por me emër të ndryshuar në Kuvend në vitin 1993.

     Nga këto të dhëna të pa kontestueshme, shihet se falsifikuesi ka shpifur, ka shpifur, dhe vetëm ka shpifur. Si nuk gjeta deri tani ndonjë shpifje që do t’i ngjante të vërtetës! Prandaj vazhdimet e shpifjeve të stërzgjatura në këtë “dokument” nuk po i përkthej dhe nuk po i komentoj, sepse jam i mendimit se nuk ia vlen, sikur po më duket se panevojshëm do të humbja energji.

 

     (“Dokumenti” nr 28): Ky pamflet është falsifikuar si “dokument” SDB’së së Serbisë dhe ka një sajesë, sikur Ali Ahmeti i qenkësh ankuar bashkëpunëtorit “Drim”, se SDB’ja nuk ia ka paguar honorarët, prandaj nuk mund të ndërmerr udhëtime për të përcjell organizatat në emigracion. Falsifikim ordiner! Aliu nuk kishte nevojë të udhëtonte gjetiu, meqë ishte anëtar i Kryesisë se LPK’së që mbulonte gjithë emigracionin “ekstremist”, i organizuar në Perëndim. Nuk ia vlen të përkthej pjesë të këtij pamfleti, në fund të të cilit falsifikuesi ka harruar të montoj ndonjë firmosje.

 

     (Dokumenti” nr 29): Ky është pamfleti i fundit i kësaj “dosjeje”. Falsifikuesi e ka montuar, sikur është “dokument” i SDB’së së Serbisë. Si edhe dokumentet tjerë, nuk ka ndonjë datë, kurse si shifër protokollimi ka sajuar: “02.Cp. 02-108-19”.

         “Lënda: Ali Ahmeti, kërkesa për njohje të stazhit

Ju njoftojmë se në kuadër të kërkesës suaj sur.pov. 12987/9, në lidhje me shqyrtimin e kërkesës lidhur me angazhimin e të përmendurit Ali Ahmeti si bashkëpunëtor i Sektorit të II-të të RSDB, konstatohet si vijon:

- I përmenduri në bazë të evidencës ka 9 vite, dy muaj dhe dy ditë kohë të NJOHUR, që kur gjendet në marrëdhënie aktive si bashkëpunëtor me Shërbimiurimt e sigurimit të shtetit.

(...)

- Stazhi i evidentuar i punës do ti regjistrohet si angazhim në firmën Progres ose Geneks, varësisht me mundësitë aktuale...”

     Po i lejoj vetës të bëjë ca spekulime. Ta zëmë se ky “dokument” është i vitit 1999 ose 2009, duke u bazuar në numrin e fundit të shifrës së më lartë përmendur sur.pov. 12987/9”, ose është i Republikës së Serbisë, pas vitit 1992, meqë falsifikuesi ka vënë atë si titullar të “dokumentit”, atëherë del se SDB’ja i paskësh hyrë në hak Aliut, meqë falsifikuesi në “dokument” që e kam zbërthyer pat shpif se Aliu është rekrutuar në vitet 1980/81. Kjo do të thoshte se SDB’ja paskësh “hëngër” (k...) Aliut 13 ose 14 vite, gjegjësisht 19 ose 29 vite stazh. Dokrra, mjerë falsifikuesi (Bozhidar Spasiq?)!

 

*   *   *

 

Komentim përmbledhës

 

    • Shikuar në aspektin virtual, këto dokumente nuk munden me qenë kurrsesi të SDB’së federative të RSFJ’së, të SDB’së republikane të Republikës Socialiste të Serbisë as të Republikës se Serbisë.

    • Shikuar në aspektin profesional, - edhe nga individi që ka paksa njohuri për dokumentet, - rezulton se këto “dosje” janë të falsifikuara, sepse pothuajse të gjithë “dokumentet” nuk përmbajnë datë e numër protokollimi dhe këtë lëshim nuk mund ta kenë bërë SDB’të (federative, republikane, krahinore) aq profesionaliste dhe aq të fuqishme.

    • Shikuar në aspektin përmbajtjesor, janë vërtet falsifikime famoze, sepse asnjë tekst i sajuar në këto pamflete nuk ngjan as përafërsisht me ngjarjet e vërteta; Nuk me besohet që SDB’të të kenë qenë të dezinformuara në këto përmasa, siç ka sajuar fantazia dashakeqe e falsifikuesit, gjegjësisht falsifikuesve; Përmbajtjet e teksteve të sajuara kanë kundërthënie skandaloze, nga “dokumenti” në “dokument”, dhe këto kundërthënie nuk duhet t’u kenë ndodhur SDB’ve aq profesionaliste, etj.

    • Bazuar në intervistat që u ka dhënë ish UDBashi serb Bozhidar Spasiq, më rezulton se vetë ai është (krye)falsifikuesi i këtyre “dosjeve”, sepse gjuha e tij me përmbajtje të teksteve në këto pamflete ngjajnë si veja vesë. Po rikujtoj ofertën e një të njohuri për të më siguruar dosje nga Beogradi për këdo që do të dëshiroja. Kur e pyeta nëse janë origjinale, mu përgjigj se janë fotokopje. Atëherë iu përgjigja se kopje mund të sajoj vet. Dhe kur pyeta se cila ishte lidhja e tij, mu përgjigj se është ish oficieri madhor i SDB’së, Bozhidar Spasiq, i cili shitka këso “dosjesh”...

    • Shpërndarësit, propaganduesit dhe mbrojtësit e vërtetësisë se këtyre “dosjeve”, ose janë naiv, ose janë të lajthitur, ose hilexhinjë, ose i kanë porositur e paguar këto “dosje” si mjet për luftën e tyre politike për pushtet. Nëse kjo e fundit është e vërtetë, atëherë mund që do të dalin të humbur. Për të argumentuar këtë parashikim, po sjell një ngjarje. Ndoshta militantët ekstremistë e BDI’së u munduan ta mundin Prof. Dr. Sadi Bexhetin me “dosje”, kur u votua në balotazh për kryetar komune në Tetovë. Edhe pse në rundin e parë z. Hazbi Lika, kandidat i BDI’së, kishte mbi 100 vota më shumë se z. Bexheti, në balotazh u mund me mijëra vota diferencë, ndoshta mu pse militantët e BDI’së shpërndanë natën e fundit të fushatës “dokument” se z. Bexheti paskësh qenë “bashkëpunëtor i UDB’së”. Populli di të dënoj destruktivitetin. Fitorja e Prof. Bexhetit rikthej në skenë PDSH’në, në atë kohë fare e pashansë për të fituar në Komunën e Tetovës. Pra, autoriteti i Prof.Bexhetit dhe destruktiviteti i militantëve ekstremistë, ishin më të mreituarit për fitore të PDSH’së, më saktësisht i Prof. Bexhetit. Logjike do të ishte që pas asaj fitoreje Prof.Bexheti të bëhej kryetar i PDSH’së, duke e dërguar në histori Menduh Thaçin konfliktuoz. Pra, qellimi nuk arsyeton secilin mjet lufte, sepse ndonjëherë të sjell humbje...

    • Nuk u falet, sidomos porositësve, shpërndarësve, e mbrojtësve të vërtetësisë së këtyre “dosjeve”, se sa të pavërteta ofenduese e denigruese kanë përhapur, duke filluar nga Jusuf Gërvalla dhe të gjithë bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e Fazli Veliut, Ali Ahmetit e Musa Xhaferit.

    • Falsicitetin e kësaj “dosje” e vërteton edhe argumentimi vijues. Që kur Ali Ahmet është arratisur në ekzil, ai ka qenë anëtar në udhëheqje të LPK’së. Udhëheqja gjatë gjithë viteve në emigracion e kishte ngarkuar Aliun të mbaj lidhje me Organizatën në Kosovë dhe ta ndihmojë atë me organizim. Tani shtrohet pyetja: Përse në këtë “dosje” nuk figuron asnjë “informatë” e Aliut për organizimin klandestin (“ilegal”) në Kosovë!? Them se për SDB’në federative dhe SDB’në republikone të Serbisë më me rëndësi do të ishin informatat për organizimet klandestine në Kosovë, se sa për veprimtarinë pothuajse krejtë legale të bashkëveprimtarëve të tij në Perëndim.

     Kësaj radhe nuk po përmbahem së dekonspiruari publikisht, për herë të parë, një vendim me rëndësi të Aliut në shtator 1998, që ende nuk dihet për te as nga ata që ndoshta do të duhej të dinin dhe nuk figuron as në këtë “dosje”. Për fatin e mbarvajtjes së Luftës çlirimtare në Kosovë, gjegjësisht për evitimin e luftimeve në mes të UÇK’së e FARK’ut, ndodhi vrasja e “ministrit të mbrojtjes” dhe Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të FARK’ut, të ndjerit Ahmet Krasniqi. Z. Bujar Bukoshi caktoi në vend të tij atasheun e atëhershëm ushtarak të Bosnjës në Ambasadën boshnjake në Ankara (Turqi), pejanin Ismet Aliu. Meqë Ismeti nuk mund të linte menjëherë detyrën e atasheut, ai e lut z. Halil Bicaj, bashkëluftetar i tij në Sarajevë, që ta zëvendësonte deri sa ai të mund të dorëzonte detyrën e atasheut ushtarak. Halili vjen të konsultohet me mua në Gjermani, nëse duhej të pranonte atë ofertë (nga se ai ishte ardh nga Sarajeva për t’u rreshtuar në UÇK). Veproi kështu sepse njiheshim më herët (përmes vëllaut të tij, Enverit, që ishte i organizuar në LPK në Gjermani), se e dinte që isha i ngarkuar të merresha me sistemim të ish oficerëve të JNA’së (duke pas unë për shef Ali Ahmetin). Unë e binda se duhej të pranonte, me argumentim se ishte shans e fat i mirë, përmes tij, për të bashkërënditur bashkëpunimin dhe bashkëluftimin në mes të UÇK’së dhe FARK’ut.

     Fatmirësisht Halili pranoi, duke më besuar se për këtë vendim do të jepja unë llogari në të ardhmën. Mëpastaj i raportova Aliut për këtë vendim. Ai ma miratoi. Thirrëm (Aliu dhe unë) Komandantin Bislim Zyrapi (Drejtor i Drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së) për ta informuar me këtë vendim, me porosi që ta mbante konspirative dhe të bashkëpunonte sa më ngusht me Halilin. Kështu edhe ndodhi. Aty e tutje kishim bashkëpunim të ngushtë dhe ndihmim reciprok në mes të UÇK’së dhe FARK’ut. Këtë të vërtetë nuk e hasa në “dosje” dhe nuk e ka ditë gjatë gjithë Lufës askush (pos ne katër vetave). Po shfrytëzoj rastin t’i kërkojë falje Halilit për heshtje kaq të gjatë dhe prandaj ai është anashkaluar pas Lufte që të mos zë vendin e merituar në strukturat ushtarake të Kosovës (edhe pse në një moment, ndoshta në vitin 2001, e pata lutur Komandantin e TMK’së, z. Agim Çeku, në prani të Akademik Rexhep Qosjes dhe Prof.Dr. Martin Berishajt, që të kooptonte Gjenralin Halil Bicaj në Komandën e TMK’së; Zotëri Çeku pat shpreh habinë për atë të vërtetë dhe shprehi keqardhje për anashkalim të Halilit, për të cilin kishte admirim të lartë për përgatitje të tij ushtarake... Mund të merret me mend, se çfarë pasojash do të kishim, po ta kishte informuar Aliu Beogardin fashist për atë vendim aq kapital dhe tepër të dobishëm?!

    • Të habit fakti se sa u angazhuan mediet maqedonase për t’u dhënë publicitet këtyre “dosjeve”, siç të habit edhe qëndrimi indiferent i organeve kompetente të shtetit, për të mos ndjekur ata që përhapin këso pamfletash e shpifjesh denigruese, të cilët kanë shqetësuar sidomos qytetarët shqiptarë...!

    • Ndjejë keqardhje pse u shfaqën këto “dosje” në këtë situatë kaq vendimtare për shqiptarët në Maqdoni (regjistrimi i popullsisë në vitin e ardhshëm, angazhimi shqiptar për anëtarësim të Maqedonisë në NATO e BE...). Nuk më bëhet të besoj se këto “dosje” janë prodhim vetëm i kreut të PDSH’së si mjet lufte për të ardhur në pushtet. Më rezulton se për këto “dosje” duhet të jenë angazhuar edhe nacionalistë ekstremistë maqedonas (ish oficerë madhorë të shërbimeve të RS të Maqedonisë), që kanë ndikim të madh në pushtetin e tanishëm në Shkup dhe që duket se kanë bashkëpunim të ngushtë me kreun e PDSH’së...

    • Uroj që kjo fatkeqësi e kurdisur dhe e nxitur të ketë pasoja sa më të vogla.

 

* ) Kontakti me Ibrahim Kelmendin i.kelmendi@hotmail.com

Prishtinë, 04. 11. 2010

 

 

( Moderatori i Pashtriku.org, 06. 11. 2010 )

 

 

 

(Reagim / Opinion)

 

 

 

TELENOVELA E SHPIFUR “DOSJET”

 

Shkruan: Ibrahim Kelmendi

 

“DOSJET” E OBORREVE

 

     Tashmë, deri në banalitet vulgar, po stërpërsëritet publikimi i “dosjeve”, duke goditur e denigruar edhe personalitete të afirmuara për veprimtarinë e tyre çlirimtare dhe politike. Këtë radhë u goditën Fazli Veliu, Musa Xhaferi dhe Gëzim Ostreni, ndërsa në hije të këtyre “dosjeve” bëhet paralajmërimi edhe për Ali Ahmetin (meqë emrin e tij e kanë maskuar kësaj radhe). Ndonëse me dy personalitetet, Fazli Veliun dhe Musa Xhaferin, kam qenë bashkëveprimtarë gjatë shumë viteve në ekzil e ndiej për obligim njerëzor, shoqëror, moral e qytetar që t’u dalë në mbrojtje deri në momentin kur mua do të më ofroheshin prova të pakundërshtueshme për ndonjë veprimtari të tyre kundërkombëtare.

     Sapo pash në televizionet e Maqedonisë (me 14 e 15 tetor 2010) që po shfaqet me zell një telenovelë kaq e shpifur, të cilën po e emërtoj “dosjet”, u ndjeva i goditur personalisht, sidomos kur pash se po denigroheshin publikisht ish bashkëveprimtarët e mi. Menjëherë udhëtova në Maqedoni, u angazhova të vë kontakt me kryepersonazhin e kësaj telenovele, prof.Shpend Lushin nga Tetova, i cili po shpërndante “dosje”. I telefonova, nuk mu përgjigj. I bëra një mesazh (sms), me mendim se tani nuk i hap numrat e panjohur. E luta që të me jepte një intervistë për gazetën “Epoka e re”. As në mesazh nuk mu përgjigj. Ndërkohë e gjeta kopjen e “dosjeve” që ai ua kishte shpërndarë gazetarëve.

 

Nga "Dosja" e oborreve!

     Meqë nuk kam dokument konkret dhe në oborrin tim nuk sjell ndokush dosje dhe as “dosje”, vendosa të analizojë këtë “dosje”, me mendim se nga vetë shqyrtimi do të dalin kundërthënjet dhe kundërshtimet e argumentuara. Sigurisht, që të analizohen gjithë këto “dosje” do hapësirë dhe me vjen keq që të interesuarve do t’u marrë kohë për të lexuar, meqë kohën e tyre do ta investonin në gjëra më me vlerë.

     Pa hezitim: Qysh në vështrim të parë që u bëra “dosjeve” formova bindjen se kishim të bënim me një falsifikat, gjegjësisht me një veprimtari të tejdukshme subverzive, tashmë kundër BDI’së.

Fillimisht u interesova për kryepersonazhin e telenovelës, prof. Shpend Lushin. Dëgjova (dez)informata nga më të ndryshmet, se ishte pinjoll i një familjeje patriotike të Tetovës, se babai i tij kishte qenë i burgosur në Goli Otok, se stërgjyshi kishte qenë i angazhuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, se ai vet kishte studjuar e doktoruar për gjeografi/klimatologji, se kishte qenë mësues e profesor në gjimnaze e universitete, por edhe se kishte qenë edhe kontrabandistë i zellshëm i ilaçeve, bashkë me një ortak kontrabandist maqedonas, se është militant i thekur i PDSH’së, etj., etj.

                                                     

“DOSJA” PËR FAZLI VELIUN

 

Fazli Veliu

 

     Kjo “dosje” përmban 25 faqe, format A4, me 18 “dokumente”. Gjatë shtjellimit do t’u qasem sipas radhitjes që i kanë bërë publikuesit e saj.

     “Dokumentin” nr. 1 rezulton se e ka lëshuar Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, me shifër arkivuese 0023450273. Nuk përmban asnjë datë e nr. të protokolimit. Në fillim është dhënë shpjegimi se “dokumenti” është formuluar “bazuar në raportimin tonë nr 020103434, të datës 05.07.85”.

Fjalia e parë

     (1)“Jemi dakord që raportimet nga ... (emër i maskuar) për aktivitetet e emigracionit armiqësor shqiptar mund të merren edhe përmes kusheririt Fazli Veliu.” Qysh këtu na del se përpara nuk paskan marrë raportime nga Fazliu, edhe pse në “dokumentet” tjerë del se raportimet për SDB’në Fazliu i paskesh filluar më herët, qysh gjatë viteve të 70’ta.

     (2)“Pos kësaj kemi parasysh kontributin e Fazli Veliut, që ... (emër i maskuar), ekstremist nga Maqedonia, e angazhoi për bashkëpunëtor të Shërbimit për siguri shtetërore. Fjalia e parë me të dytën sikur nuk kanë rrjedhë logjike. Në të parën është një bashkëpunëtor tjetër, i cili propozon që informatat do të sigurohen edhe përmes “kusheririt Fazli Veliu”, kurse në të dytën Fazli Veliu rekruton bashkëpuntor? Kjo na paralajmëron se do të publikohen edhe “dosje” tjetër në ditët pasuese.

(3) “Gjithashtu nënvizojmë kontributin e paçmueshëm të Fazli Veliut në prerjen (serbisht: presecanju) e veprimtarisë armiqësore të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, të cilët kanë vdekur gjatë atentatit të 17.01.1982.” Si pjesëmarrës i asaj veprimtarie, nuk di të jetë afruar Fazli Veliu për të penguar veprimtarinë tonë, meqë ruhej të mos identifikohej si bashkëpunëtor.

(4) “E nevojshme është që për të lartëpërmendurit të caktohen pseudonime të veçanta dhe pranimi i raportimeve të tyre.”

     “dokumentin” nr 9, sipas radhitjes që i kanë bërë falsifikuesit “dosjeve”, figurojnë të dhënat për “rekrutimin” e Fazliut. Edhe pse nuk mban datë, në të është “evidentuar” se është rekrutuar në vitin 1977, me psedonimet “Ujka” dhe “Drim”. Kurse dokumenti që po shqyrtoja, ku thuhet se duhet të caktohen pseudonimet, na qenkesh bërë me 05. 07. 1985. Atëherë, si mund të arsyetohen kundërthëniet në mes të këtyre dy “dukomenteve”? Në njërin, të vitit 1985, thuhet se duhet t’i caktohet pseudonimi, kurse në atë të “rekrutimit” të vitit 1977, thuhet se ka pseudonimet “Ujka” dhe “Drim”!?

Kjo kundërthënie forcohet edhe në fjalinë e parafundit të këtij “dokumenti”, ku thuhet: “Ekziston mundësia që Fazli Veliu të regjistrohet edhe si rezident i SDB’së, duke pasur parasysh se i përmenduri me kohë ka propozuar: ... (emri i maskuar nga falsifikuesit) për  angazhim me status të bashkëpunëtorit.”

Edhe me këtë fjali rriten kundërthëniet, që dëshmojnë se kodoshi (siç i thuhet UDB’ashit në Maqedoni) ishte/është kodosh i një rangu të ulët, në mos qëllimisht e ka falsifikuar tekstin me të tillë kundërthënie.   

As “dokumenti” nr 2 nuk ka asnjë datë. “Titullari”: “RSUP SR SRBIJE, SDB - II SEKTOR”, që do të thotë Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë.

“Lënda: Fazli Veli, njoftim.”

Fjalia e parë (1) “Sipas të dhënave të bashkëpuntorit tonë në zvicër e gjermani, “UJKA”, në ditën e 17. 01. 1982, gjatë qërimit të hesapeve në mes të njerëzve të panjohur dhe vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ka ndodhur vdekja e të përmendurve.” Nuk besoj të ketë pasur një raportim kaq dezinformues nga asnjë informator i UDB’së, sepse ato struktura nuk e kanë dezinformuar njëri-tjetrin. Tjetër është kur strukturat e shërbimeve jugo-sllave dhe serbe komandonin agjensitë e lajmeve dhe mediet tjera të përhapnin këso dezinformimesh diskredituese, se gjoja janë viktimë e qërimit të hesapeve mes tyre.

Kurse në fragmentin e mëposhtëm shkruan: “... Si person që ka ndihmuar gjatë atentatit ndaj ekstremistëve të mëlartëpërmendur përmendet edhe Fazli Veliu, i babait Osman, i lindur në janar 1945, në fshatin Zajec afër Kërçovës në Maqedoni. I përmenduri sipas këtij informimi gjendet në emigracion dhe është në lidhje me shërbimet sekrete jugosllave.”  Shih tani kundërthënien absurde, “UJKA”, pseudonimi i Fazli Veliut në këtë “dosje”, informon se si Fazli Veliu ka ndihmuar në atentat ndaj Vëllezërve Gërvalla, pra, “UJKA” sipunon angazhimet e vetëvetës (Fazli Veliut)?! Edhe si falsifikim, është tepër skandaloz! Kjo dëshmon se kodoshi që ka sajuar këto falsifikime ka qenë një injorant i llojit të tij.

     “dokumentet” 3 e 4 janë të “evidentuara” honoraret që i qenkeshin paguar Fazli Veliut, por nuk përmbajnë data dhe as numra protokolimi. Meqë këto “dokumente” kanë për “titullar” “RSUP SR Srbije SDB II Sektor”, nuk me besohet se SDB e Republikës së Serbisë ka paguar honorare për informatorë e bashkëpunëtorë të Sekretariatit Federativ, gjegjësisht të SDB’së federative, meqë në “dokumentet” paraprake rezultonte se punëdhënës i Fazli Veliut ishte Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme!? Edhe këto falsifikime dëshmojnë se sa injorant është kodoshi që ka sajuar këto falsifikime; ai nuk ka pas informime, ose se ka harruar, se institucionet policore republikane dhe krahinore nuk i kanë paguar informatorët dhe bashkëpunëtorët e institucioneve federative dhe anasjelltas.

     “Dokumenti” nr 5 ka për “titullar”: “RSUP SR SRBIJE, SDB-II Sektor”, pa datë e nr. protokollimi.“Lënda: Fazli Veliu, të dhëna -“Fazli Veliut, lidhje operative, i ka dorëzuar të dhënat e kërkuara për personat vijues: Aziz Polozhani, Rizvan Sulejmani, Hezbi Luka (ndoshta Hazbi Lika), Hisni Shakiri. Gjithashtu Fazli Veliu ka siguruar sasi të madhe të materialit armiqësor propagandistik, të cilin emigracioni armiqësor përmes tij ka dashur ta fus në vend...” Meqë nuk ka ndonjë datë, nuk kam si e komentoj. Po që se është fjala për kohë para pavarësimit të Maqedonisë, atëherë SDB’ja e Serbisë nuk do të kishte ndonjë shkak për të kërkuar informata nga “rezident” në Zvicër për personat e lartëpërmendur, sepse këta ishin brënda vendit dhe akoma të paafirmuar. Pastaj, sikur ngatërrohen “punëdhënësit”, herë Sekretariati Federativ dhe këtu na del sërish Sekretariati Republikan i Serbisë. Edhe një herë: Nuk më bëhet të besoj se kështu i kanë përzier kompetencat këto dy institucione të veçanta.

     As “dokumenti” nr. 6, që ka për titullar “Sekretariatin Federativ për Punë të Brendshme, Sektorin II SDB, Str.pov. 02-365/07,” pa datë.

I drejtohet: “SDB RSUP Makedonije II Sektor”.

“Lënda: Kërkohen të dhëna.

Nga burimi i besueshëm i SDB, pseudonimi “Ibar”, kemi marrë informata mbi veprimtarinë armiqësore për personat vijues: Aziz Polozhani, Rizvan Sulejmani, Hezbi Luka (ndoshta Hazbi Lika), Hisni Shakiri.

     Tani sikur na del në skenë pseudonimi i ri për Fazli Veliun, “Ibar”, pos pseudonimeve: “UJKA” dhe “DRIM”. Falsifikim primitiv. Falsifikuesit sikur kanë harruar të ruajnë kontinuitetin e pseudonimeve. Me gjasë falsifikuesve u ka shpëtuar edhe një pështjellim teknik gjatë falsifikimit ose gjatë radhitjes se “dosjeve”. Ndoshta këtë “dokument” e kanë përgatitur për ndonjë personalitet tjetër, të cilit ia kanë vënë pseudonimin “Ibar”, por që nga zelli i tepruar për të radhitur sa më shumë “dukumente” në “dosje” të Fazli Veliut, gabimisht e kanë futur edhe këtë “dokument”. Kjo “shkresë“ i drejtohet “SDB RSUP Makedonije II Sektor”, që do thotë se tani hetuesit kompetent e kanë të lehtë të verifikojnë këtë “shkresë“, meqë duhet të jetë në arkivë përkatës në Maqedoni, nëse vërtetë ekziston.

     Si edhe në “dokumentet” e mëparmë, edhe në “dukument” nr 7, nuk kemi datë, ndërsa numri i protokollimit është një shkarravitje ordinere. “Titullar” i këtij “dokumenti” është “Sekretariati Federativ për Punë Brendshme, Drejtoria e II e SDB”.

Titulli i këtij “dokumenti”: “Shënime zyrtare”.

Fjalia e parë                                             

 

(1) “Ditën e 02.08.1981 në hapësirat e SDB SSUP është bërë një bisedë informative me Fazli Veliun, lidhjen shumëvjeçare operative të Shërbimit të sigurimit të shtetëror.”

(2) “Fazli Veliu e ka lëshuar vendin në vitin 1968, kur i kishte 23 vjet. Ka studjuar e mbaruar gjuhën shqipe dhe janë të regjistruar takimet e shumta me përfaqsues të shërbimeve shtetërore informative.”

(3) “Si student dy herë ka kaluar ilegalisht kufirin shtetëror te Peja dhe ka shkuar në Shqipëri, por që të dy herët është kthyer me vendim të AOS.”

(4) “Sipas njohurive të Shërbimit të sigurimit shtetëror, Fazli Veliu është i gatshëm në çdo formë të bashkpunimit me shërbimin tonë, krejt me qëllim që t’i sigurohen mjete financiare, që do të thotë angazhim për SDB për shpërblime financiare dhe dhënie të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit, që të mund të takohet me familjen e tij në Slloveni.”

(5) “Duke pasur parasysh rëndësinë e të dhënave të cilat i ka grumbulluar për shumë vite SID SSIP’ja, shërbimi ynë konsullor ka vlerësuar se bashkëpunimi me Fazli Veliun do kontribuonte në mbikëqyrjen e përgjithshme të aktivitetit të ekstremistëve të grumbulluar rreth Vëllezërve Jusuf Gërvalla dhe vëllaut të tij Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, ekstremistë që sipas informatave tona synojnë të fusin në vendin tonë grupe terroriste nga Shqipëria.”

(6) “Fazli Veliu e ka arritur besueshmërinë e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, kështu që ai është pjesëmarrës i rregullt i takimeve të fshehta me ekstremistët e përmendur dhe bashkëmendimtarëve të tyre, të cilat mbahen në Cyrih, Zhenevë dhe Bern.”

(7) “Ky grup rregullisht udhëton në Gjermani, ku i mbajnë lidhjet me ekstremistë të kësaj hapësire.”

(8) “Sipas fjalëve të Fazli Veliut, grupi Gërvalla dhe Zeka aktualisht është më e forta në gjirin e emigracionit armiqësor shqiptar dhe me ta janë në lidhje sidomos ekstremistët nga Belgjika, që janë të grumbulluar rreth I.K.”

(9) “Fazli Veliu thotë se është në gjendje që t’i ofroj Shërbimit në afat prej disa orëve të dhëna mbi lëvizjet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe se aktualisht e ndan një banesë me Kadri Zekën, kështu që në bazë të lëvizjeve të tij mund të ketë një pasqyrim të plotë dhe të informojë për aktivitetet tjera në indoktrinimin e grupeve terroriste dhe krijimin e terroristëve, të cilët do të dërgohen në vend.”

(10) “Fazli Veliu mund të ofroj të dhëna edhe për grupimet tjera terroriste në hapësirën e Zvicrës. Bashkëpunëtori thotë se grupacioni kryesor terrorist zvicëran është Partia Komuniste e Zvicrës dhe se grumbullohen në librarinë e një shtetasi zvicëran në Zhenevë, në rrugën Rue de Remen Rolan nr. 3. Bashkëpunëtori informon se qasja në këtë librari është rigorozisht e kontrolluar, por se në të mund të hyhet dhe të kryhet ndonjë akcion.”

(11) “Në pyetjen e punëtorit operativ të Shërbimit, se si është e mundur të futet përçarje në mes të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ose në mes tyre dhe grupimeve të tjera, Fazli Veliu thotë se nxitja e konfliktit në mes tyre nuk ka asnjë shans nga se është tim i zhdervjelltë dhe mirë të pozicionuar dhe vlerëson, mbi bazë të burimeve të ndryshme shqiptare dhe të dhënave vullnetare se Vëllezërit Gërvalla dhe Zeka me siguri në disa xhirollogari kanë miliona franga zvicërane se rrojnë shumë mirë, se shfrytëzojnë BMW të shtrejtë, se rregullisht u dërgojnë familjeve në Kosovë dhe në Shqipëri sasi të mëdha të të hollave, dhe se ka dëgjaur se Jusuf Gërvalla po ndërton shtëpi në Brezovicë/ vërejtje: Shërbimi nuk e ka pasur këtë informatë/.”

(12) “Gjithashtu ai vë në pah se ndaj këtyre ekstremistëve lidhje të ngushta ka Haliti dhe gruaja e tij Violeta, por se në emigracion përflitet se gruja e Halitit, Violeta, ka diç me Jusuf Gërvallën.”

(13) “Për këtë Veliu ka biseduar me Selim Halitin, i cili ia ka vërtetuar se gruaja e Xhavit Halitit, Violeta, nuk është larg prostitucionit dhe se ajo fshehurazi takohet me njërin nga vëllezërit Gërvalla, edhe pse ka fëmijë.”

(14) “Bashkëpuntori është i mendimit se Kadri Zeka ngadal po bëhet lider i grupit dhe se është i mendimit se me mungesën e tij grupi do të shpërbëhej.”

(15) “Për qëllim të sigurimit të të dhënave mbi lëvizjet e Kadri zekës dhe Bardhosh e Jusuf Gërvallës me Fazli Veliun është arrit marrëveshja e plotë dhe se për të tilla të dhëna Veliut i është premtuar shpërblimi i veçantë financiar.”

(16) “Bazuar në gjithë këto të paraqitura propozojmë që Fazli Veliu të riregjistrohet dhe të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të SDB SSUP si dhe, në këtë mendim Shërbimi të mbaj evidenc veçanërisht përmes tij mbi lëvizjet dhe të gjitha rrethanat dhe aktivitetet e Kadri Zekës dhe vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla.”

 

     Qëllimisht e shqipërova gjithë “dokumentin”, për të vërtetuar se këtë e ka sajuar një kodosh sharlatan. Ai sikur është bazuar në thash-e-thënat e përfoljet që i ka dëgjuar kafeneve dhe i ka falsifikuar në mënyrën më dezinformuese. Në vazhdim po sjell shembuj për të zbërthyer e vërtetuar falsitetin e këtyre “dosjeve” (në mungesë të provave dokumentare në formë dokumentesh dhe si rrjedhojë e mungesës se ndokujt që do të më lente “dosje” në oborr...).

Në fjalinë e parë (1) thuhet se biseda është zhvilluar në hapësira të SDB SSUP (Sekretariat Federativ) me 02.08.1981. E pabesueshme, sepse “nënshkruesi” i këtij “protokoli”, Stanko Qollak, nuk duhet të ketë qenë kaq injorant, për të formuluar protokol kaq të pasakt.

Në fjalinë pasuese (2) thuhet se Fazli Veliu ka emigruar në vitin 1968. Kurse unë di se ai ka emigruar në fund të viteve të 70’ta.

Në fjalinë tjetër (3) thuhet se ai është arratisur dy herë në Shqipëri. Për herë të parë dëgjoj këtë dezinformatë. Rëndom, ata që arratiseshin në Shqipëri, nuk e mbanin fsheht, nga që në atë kohë arratisja në Shqipëri shpërdorohej për t’u lavdëruar si patriot. Kodoshi falsifikator ka sajuar edhe këtë shpifje që të ilustroi “dokumentin” e tij.

Në fjalinë tjetër (4) thuhet se Fazli Veliu është i gatshëm për bashkëpunim. E pakuptimtë. Nëse Fazliu është rekrutuar qysh në vitin 1977, siç është falsifikuar në “dokumentin” nr 9, atëherë pse është dashur të evidentohet tek tani se po tregon gatishmëri për bashkëpunim?! Me të rekrutuarin e mëhershëm nuk duhet të zhvilloheshin këso bisedime takorduese.

Në fjalinë tjetër (6) falsifikohet se Fazli Veliu ka marrë pjesë rregullisht në takimet e fshehta të Kadri Zekës e Vëllezërve Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tyre.

Si pjesëmarrës, gjegjësisht dëshmitar, i veprimtarisë së atyre viteve në ekzil, dëshiroj të rikujtoj se Fazli Veliu deri në fillim të janarit 1981 nuk duhet t’i ketë njohur personalisht asnjërin nga heronjtë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Unë e kam njohur Fazliun qysh në vitin 1979, përmes nxënësit të tij K.B., por edhe përmes Babait të K.B., tashmë i ndjerë, që punonte e jetonte në Dyzeldorf. Natën e darsmeës se Kadri Zekës dhe Saime Isufit, në fillim të janarit 1981, Fazliu erdhi deri te lokali ku po mbahej darsma. Shërbyesit më thirrën që të dalë jashtë, meqë po me kërkonte një njëri. Kur dola pash se ishte Fazliu. I thash të hynte brenda, meqë ishte shumë ftohtë dhe dëborë e madhe përjashta. Ai nuk pranoi, duke u arsyetuar se mund të identifikohej dhe pastaj do e pësonte kur do të shkonte për pushime në vendlindje. Fazliu më njoftoi se e kishte ftuar në darsëm një shok i Kadriut. Tani ai dëshironte të njihej personalisht me Kadriun, ta uronte për martesën dhe t’i kërkonte falje për pamundësinë që të merrte pjesë. E pyeta nëse dëshironte të takohej edhe me Jusufin. Ai tha se ishte ardhur meqë ishte i ftuar në darsëm dhe se donte ta takonte e uronte Kadriun. E nxora jashtë Kadriun dhe ndejtëm të tre se bashku ca minuta derisa ata u njohën dhe Fazliu uroi Kadriun. Pastaj Fazliu shkoj. Ndonjëherë tjetër nuk di të jetë takuar Fazliu me Kadriun, kurse me Jusufin e Bardhoshin, sipas mbamendjes sime, nuk është takuar asnjëherë, sepse Fazliu nuk merrte pjesë në aktivitetet tona, nga se frikësohej se do të identifikohej e do të rrezikohej si bashkëveprimtar. Tek në vitin 1984 ka filluar të angazhohej, duke marrë pjesë në aktivitetet e Organizatës sonë.

Nga ky rikujtim mund të konstatoj se Fazliu nuk i ka përcjellë nga afër aktivitetet, derisa ishin gjallë heronjtë tanë, sepse ai rrinte larg angazhimeve tona.

Në fjalinë (8) janë bërë dezinformime të njëanshme, ku me gjasë janë vënë në përdorim edhe inicialet e emrit tim (“I.K.”), edhe pse unë nuk kam qenë udhëheqës i ekstremistëve në Bruksel.

Në fjalinë (9) dezinformohet se Fazliu ndante banesën me Kadri Zekën. E vërteta është se Fazli Veliu as që e ka ditur se në cilin qytet banonte Kadriu, meqë vendbanimi i tij është mbajtur shumë konspirativ.

Në fjalinë (10) sajohet një dezinformatë. Biblioteka kontaktuese e shtetasit zvicëran ka qenë në qytetin Biel/Bienn dhe jo në Gjenevë, siç ka gënjyer kodoshi falsifikues. Në atë bibliotekë nuk janë mbajtur takime, përjashto rastin kur aty e kam takuar për herë të parë Kadriun, në fund të marsit të vitit 1981. Kjo librari na ka shërbyer për shumë vite si adresë kontaktuese. Ajo nuk ka qenë seli e asnjë partie komuniste zvicërane.

Në fjalinë (11) dezinformohet se Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë pasur miliona franga në xhirollogaritë e tyre dhe se kanë rrojtur si pasanik, kanë dërguar ndihma financiare familjeve në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë vozitur automobila të shtrejtë BMW. Të gjitha janë vërtetë shpifje primitive. Nuk besoj që UDB’ja të ishte kaq e dezinformuar.

Në fjalinë (12) e (13) shpifet barbarisht dhe denigrueshëm për disa lidhje të ngushta në mes të Xhavit Halitit dhe “gruas së tij, Violetës”, me Vëllezërit Gërvalla. Xhavit Haliti dhe bashkëshortja e tij nuk i kanë takuar ndonjëherë në jetë Vëllezërit Gërvalla as Kadri Zekën. Xhavit Haliti dhe bashkëshortja e tij nuk kanë qenë në ato vite fare në ekzil. Bashkëshortja e Xhavitit nuk e ka emrin Violetë.

Them se këtu më lejohet të bëjë një mallkim emocional: Turp të kenë këta falsifikatorë e shpërndarës të këtyre lloj “dosjeve” kaq primitive, vulgare e kaq të ulëta! Vetëm ky lloj falsifikimi kaq i turpshëm e kaq komprementues mund të dëshmoj se vërtetë këto “dosje” janë falsifikim skandaloz nga kodoshë të inkriminuar dhe nga urdhërdhënës të tyre. E si paskesh qenë e mundur të kishte ndonjë marrëdhenie amorale Jusuf Gërvalla me ndonjë grua që në ato vite nuk ka jetuar fare në emigracion?! E si do të guxonte informatori i SDB’së federative të sajonte këso dezinformate?! Edhe po të donte, atij nuk do t’ia pjellte imagjinata një këso shpifjeje, e aq më pak që këtë t’ia pohonte edhe Selim Haliti, vëllau i Xhavitit, i cili në fund të viteve të 80’ta ka emigruar në Zvicër...

Edhe “dokumenti” nr. 8 ka për titullarë Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme, nuk përmban datë, ka nr. protokolimi të padëshifrueshëm. Pra, edhe ky i ngjan atij dokumenti pararendës. Po e shqiproj nga fjalia e gjashtë e tutje, meqë ato pararendëse janë xhepura të ngjashme me ato të “dokumentit” pararendës.

 

(6) “Duke ju falënderuar bashkëpunimit me Fazli Veliun, Shërbimi është vënë në kontakt me kusheririn e tij, djalin e motrës se tij ... (emri i maskuar, por aludohet në Ali Ahmetin; nënvizimi nga unë), i cili është i lindur me ... (maskuar), në fshatin ... (maskuar), pranë Kërçovës, RS e Maqedonisë.”

(7) “I mëlartëpërmenduri është rekrutuar si bashkëpunëtor në vitin 1980/1981, i cili me udhëzim të SDB është infiltruar në grupet ekstreme në universitetin e Prishtinës.”

(8) “Prej asaj periudhe Fazli Veliu dhe ... (emri i maskuar),  i kanë vënë Shërbimit 580 informata me rëndësi, të dhëna, dokumente, fotografi si dhe të tjera materiale me rëndësi për sigurinë.”

(9) “Me ndihmën e ... (emri i maskuar) dhe Fazli Veliut, Shërbimi ka mundur të ketë vështrim mbi synimet armiqësore të emigarcionit armiqësor shqiptar si dhe të pengoi individët, të cilët kanë qenë tepër ekstremist, ndër ta mendohet për Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën / Fazli Veliu / si dhe Xhafer Shatri, Xhavit Haliti, Enver Hadri dhe të tjerë / ... (emri i maskuar)/.”

(10) “Duke falënderuar ... (emri i maskuar) dhe Veliut Shërbimi ka regjistruar dhjetëra emigrantë dhe persona të tjerë, për të cilët nuk ka pasur informata konkrete.”

(11) “Kështu ... (emri i maskuar) dhe Fazli Veliu kanë dhënë informata për personat vijues: Sadik Musaj, Rifat Çeku, Xhavit Halitaj, Selim Haliti, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Bujar Bukoshi, Nexhmije Hoxha, Hysni Milloshi, Agush Buja, Ramë Buja, Agim Çeku, Kadri Veseli “Luli”, Adem Graboci, Ibrahim Gashi, Rexhep Kelmendi, Abdullah Prapashtica, Fitim Kelmendi, Zekë Çeku, Azem Syla “Daja” / daja i Hashim Thaçit / Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sabit Geci, Bashkim Reçica, Florim Maloku, Gëzim Osmani, Fatos Klosi, Bardhyl Mahmuti /Tetovë /.”

(12) “...(emri i maskuar) dhe Fazli Veliu kanë ofruar të dhëna edhe për ekstremistë të tjerë, të cilët Shërbimi në bashkëpunim me KOS - JNA dhe shërbime të tjera RSUP dhe PSUP i kanë mbikëqyrë e regjistruar, duke përcjellë aktivitetin e tyre.”

(13) “Në bazë të arsyeve të mëlartëpërmendura propozojmë që të emërtuarve t’u ndahet shpërblim i veçantë në përputhshmëri me rregulloret e punës të SDB SSUP.”

(14) “Drejtuar Sekretarit federativ dhe Këshillit për mbrojtje të rendit kushtetues.”.

“Firmosur” nga nënsekretari Zdravko Mustaq.

 

     I gjithë “dokumenti” duket të jetë trillim i falsifikuar vetëm nga kodoshi tepër i painformuar për emigracionin. Ky nuk ngjan fare në dokument autentik, i formuluar nga oficeri madhor i Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme. Poenta kryesore në këtë dokument është paralajmërimi për Ali Ahmetin, meqë edhe “dosja” për te e ndonjë tjetër pritet t’i lihet ditet në vijim ndonjë militanti të PDSH’së në oborr. Kështu, me këtë luftë subverzive, synohet të mbahet në tension BDI’ja. Por, a qëndrojnë pas kësaj lufte speciale vetëm krerët e PDSH’së dhe paramilitarët e saj? Kjo pyetje, shpresoj, duhet të marrë përgjigje.

     “Dokumenti” nr 9 ka për “titullar” Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme. është gjithashtu pa datë dhe nr. protokolimi. Ky përmban të dhënat personale për Fazli Veliut: I lindur me 1 prill 1945, në Zaec (Kërçovë), RS Maqedonisë, i martuar, shkollim i lartë, niveli i angazhimit: lidhje operative - bashkëpunëtor - rezident, psedonimi: “UJKA” - “DRIM”, regjistruar: viti 1977”, etj. Interesant: Edhe pse i janë caktuar pseudonimet, në gjithë dokumentet e deritanishëm nuk përdoren këta, por emri i tij legal, me përjashtim të një rasti kur “UJKA” informon për “kontributin” e Fazli Veliut në atentatin ndaj Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka! Sigurisht, as ky “dokument” nuk ma lëkund bindjen: Fazli Veliu nuk ka qenë informator, bashkëpuntor as rezident i SDB dhe shërbimeve të tjera jugo-sllave e serbe. Këto “dokumente” janë falsifikuar për luftë speciale, nuk janë fare të nivelit profesional, siç do të duhej pritur nga shërbime aq të profesionalizuara jugo-sllave.

     “Dokumenti” nr 10 ka për “titullar” Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës se Serbisë, resori Sigurimi shtetëror, “protokoluar” 02.Cp. 02-108-19, pa datë. Edhe në këtë dokument, si edhe atë nr 2, mungojnë stema dhe Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme, si dhe mungon RS (republika socialiste) e Serbisë, si në rastet paraprake. Për herë të parë përdoret alafabeti çirilik.

     Në të bëhet fjalë për shqyrtim të kërkesës për stazh pune për Fazli Veliun. I evidentohen 14 vite e 8 muaj stazh. Në një fjali tjetër thuhet: “Stazhi i evidentuar i punës do të regjistrohet sikur ka qenë i angazhuar në Firmën INA.” Kjo firmë, siç dihet, ka qenë kroate dhe që nga viti 1992 sigurisht që nuk ka pranuar të regjistrohen në emër të saj bashkëpunëtor të UDB’së jugo-sllave dhe serbe. Këto trillime falsifikuese do të duhej të sqarohen nga Komisioni për lustrim, gjithsesi edhe të hetohen nga institucionet kompetente dhe të gjykohen nga gjykata, nga e cila do të duhej pritur që të denojë falsifikuesit, shpërndarësit dhe publikuesit e këtyre “dosjeve”. Kjo drejtësi do të duhej t’u garantohet të dëmtuarëve, po që se kemi të bëjmë me minimumin e një shteti ligjor!

     Edhe “dokumenti” nr 11 ka për “titullar” Ministrinë e Punëve të Serbisë dhe jo më Sekretariatin Federativ për Punë të Brendshme. Ky ndërrim i institucioneve nuk duket logjik. Gjithashtu është i padatë, është shkruar në alfabet çirilik, ndërsa të tjerët, pos “dokumentit” pararëndës, janë shkruar në alfabet latin. Edhe në këtë “dokument” flitet për angazhimet e Fazli Veliut dhe Musa Xhaferit. Ky i fundit paskesh informuar, pos tjerash, se “Violeta Haliti, gruaja e Xhavit Halitit, përdor drogë dhe u shitka si prostitutë në bordele...” Kjo shpifje kaq e ulët e denigruese me hidhëron pa masë, por me bind se vërtetë këto “dokumente” janë të falsifikuara, pasi bashkëpunëtorët e shërbimeve jugo-sllave nuk kanë guxuar të dezinformojnë në këtë nivel kaq të ulët e dezinformues punëdhënësit e tyre, të cilët, në rastin konkret, paskeshin qenë strukturat më të larta të shërbimeve federative e republikane! Turp të kenë falsifikatorët dhe shpërndarësit e këtyre “dosjeve”, që nuk ngurrojnë të përgojojnë edhe nderin e grave të bashkëveprimtarëve tanë!

     “Dokumenti” nr 12 ka për “titullar” Sekretariatin Federativ për Punë të Brendshme të RSF të Jugosllavisë, ka në krye stemën federative të RSFJ’së. Në të është evindetuar nr 12/345, por nuk ka datë. Në të bëhet fjalë për takimin e Fazli Veliut me punëtorin operativ të konsulatës në Austri, nga i cili i qenkeshin dorëzuar 4.500,- franga zvicërane, se Fazliu paska dorëzuar informata, 30 fotografi nga demonstrata para Komebeve të Bashkuara në Zhenevë, dokumente të Kadri Zekës që i paskësh ruajtur Fazliu, etj. Edhe këto falsifikime, si të tjerat, nuk kanë të bëjnë me realitetin, meqë Fazliut nuk kanë pasur si t’i bien në dorë dokumentet e Kadri Zekës, të cilët pas atentatit i kishte konfiskuar policia zvicerane e gjermane dhe vetëm pas shumë vitesh u janë kthyer familjes.

     “Dokumenti” nr 13 ka për “titullar”Sekretariatin Federativ për Punë të Brendshme, protokoluar me shifër 02-0119810, pa datë. Në këtë “dokument” bëhet fjalë për Fazli Veliun dhe ... (emri i maskuar, me aludim se kemi të bëjmë me Ali Ahmetin, meqë emri i Musa Xhaferit nuk është maskuar asgjëkundi). Për Fazli Veliun thuhet se i është lëshuar një pasaportë false, dhe për te mbahet evidencë në SDB RSUP RS Sllovenisë. E habitshme, tek në këtë “dokument” na del se evidenca qenka mbajtur në SDB RSUP RS Sllovenisë, edhe në disa “dokument” tjerë rezultonte se SDB RSUP i RS të Serbisë ishte angazhuar. Sërish bëhet fjalë për plasim të Fazli Veliut pranë Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, deri sa ata janë “likuiduar” dhe pastaj ai është ngarkuar me detyra të tjera. Pastaj flitet për Musa Xhaferin, me lidhje të tij me konsullin D.J. dhe me detyra të ngarkuar për të informuar kryesisht për Shqipërinë, Xhavit Halitin dhe Xhafer Shatrin. Sigurisht, edhe këtë “dokument” e vlerësojë si të tjerët - të falsifikuar.

     Falsifikime, falsifikime, falsifikime tepër primitive!

Edhe “dokumenti” nr 14 ka për titullar Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme, pa nr. protokolimi dhe pa datë, përjashto ca shkarravitje në vendin ku do të duhej të ishte nr. i protokolimit. Në këtë “dokument” flitet për angazhimet gjatë panairit të librit në Frankfurt (që rëndom organizohet në fillim të tetorit të çdo viti). Aty thuhet se nacionalistët shqiptarë kanë organizuar stendën e tyre. Kjo nuk është e vërtetë, pasi në asnjë panair ne nuk kemi pasur stendë (as edhe oranizatat tjera të emigracionit shqiptar). Në një fjali shkruhet: “... (emri i maskuar, aludohet në Ali Ahmetin) dhe Fazli Veliu kanë pasur takim me H.P.Rullmann.” Jam më se i bindur se asnjëri dhe as tjetri nuk e kanë njohur e takuar ndonjëherë gjermanin Hans Peter Rullmann, meqë të tilla takime i kam mbajtur unë, për çka kam qenë i ngarkuar nga LPK’ja. Sigurisht, jo vetëm në panaire, por edhe në raste të tjera, e kam takuar Rullmanin dhe kemi shkëmbyer informata e ide. Për ndonjë takim a njohje të re me shqiptar ai me ka informuar dhe është interesuar për vlerësimin tim për ta. Edhe me emigracionin kroat, qysh në vitin 1977, takimet i kam bërë kryesisht unë, si individ dhe në emër të organizimeve tona, por edhe Emin Fazliu, alias Emil Kastrioti, por ai në emër të “Beslidhjes Shqiptare”... Në bazë të kompetencave dhe angazhimeve të atëhershme mund të konstatoj se takime të tilla me Rullmann dhe me kroatë Fazli Veliu nuk ka pasur, prandaj për rrjedhojë, edhe ky “dokument” është i falsifikuar.

     “dokumentin” nr 15 është faksimili i pasaportës me foto të Fazli Veliut, i lëshuar nga SUP i Beogradit, në emër tëe Abaz Veliqit, i lindur me 01.04.1945 në Shkup. Faksimili mban datën e lëshimit të pasaportës me 05.04.89 dhe është i afatizuar për pesë vite, deri më 05.04.1994. Numri i pasaportës figuron: 067548. Për vërtetësinë e ekzistimit të këtij pasaporti nuk kam ndonjë koment, prandaj më mbetet të pres rezultatet e hetimit e të gjykimit nga Komisioni për lustrim në Shkup dhe nga hetuesia që duhet të hetoj këtë veprimtari dhe këto “dosje”. Organet e Shkupit duhet të jenë në gjendje të vërtetojnë shpejt, nëse një këso pasaporte e falsifikuar është lëshuar ndonjëherë. Por nëse ato nuk hetojnë, atëherë duhet dyshuar se prapa krerëve të PDSH’së qëndrojnë komplotistë më të fuqishëm, që komandojnë organet shtetërore të Maqedonisë...

     “Dokumenti” nr 16 ka për “titullar” konsullatën jugosllave në Shtutgart të Gjermanisë, përmban shifër protokolimi 49-387/002 (me gjasë viti 2002). Bëhet fjalë për një “dëshmi” për pagesë të 5.000 DM Fazli Veliut (edhe pse në vitin 2002 valutë zyrtare ka qenë euro). Por në shënimin pranues të këtij “dokumenti”, nga ana e Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, figuron viti 1989. Edhe për vërtetësi të këtij “dokumenti” nuk kam ndonjë koment, pos të them, se më duket paksa naive që honoraret t’i paguaj konsullata, e cila është nën survejim të shërbimeve gjermane.

     Edhe në “dokumentin” (17) bëhet fjalë për “dëshmi” të ngjashme, si me atë pararëndës, ku figurojnë t’i jenë dhënë Fazli Veliut 6.000,- DM. Në asnjërën “dëshmi” nuk figuron nënshkrimi i pranuesit të këtyre të hollave.

     Konstatim përmbyllës: Bazuar në përmbajtje, formë, nivel, kam bindje të bazuar se kjo “dosje” është një produkt i falsifikuar vetëm për të denigruar Personalitetin Fazli Veliu dhe kështu për të komprementuar Lëvizjen Popullore të Kosovës (kryetar i Degës së saj në emigracion për shumë vite ka qenë Fazli Veliu), themeluese dhe drejtuese politike e të dy UÇK’ve dhe se fundi, për të luftuar BDI’në.

 

“DOSJA” PËR MUSA XHAFERIN

 

Musa Xhaferi

 

     Sa për sqarim fillestar, kjo “dosje” përmban tre “dokumente”, me 4 faqe të formatit A4. dokumentin e parë të kopjes se “dosjes” për Musa Xhaferin, me shifër arkivor 000207033-22, titullar figuron Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme. Qysh në krye mungon evidentimi i datës, se kur ishin përpiluar të dhënat për te dhe nofka “MAMA”. Ndërsa në fund, “evidentues” i këtyre të dhënave figuronte një si ndihmës i sekretarit federativ Rikard Korljan. Më tej del se Musa ishte rekrutuar me 04.03.1984.

     Natyrisht, as ky “dokument”, si edhe të tjerët, nuk është kopje e dokumenteve autentike, por montazh i falsifikuar. Besoj, Musa Xhaferi do të ngre padi gjyqësore, pasi falsifikuesit dhe publikuesit e kësaj “dosje” duhet penalizuar e dënuar.

     Në kopjen e “dokumentit” të dytë, rezulton se Musa Xhaferi paskësh marrë nga konsulata jugo-sllave në Feldkirch (Austri), me 28.02.1988, 40 mijë shilingë austriak. Në këtë “dokument” Musa Xhaferi rezulton të jetë bashkëpunëtor i SID SSIP dhe SDB SSUP. Jam me se i bindur, se gjatë gjykimit të kësaj lënde, edhe ky “dokument” do të dal se është një falsifikat i llojit të tij.

     “dokumentin” e tretë rezulton se Musa Xhaferi “në pikën kufitare në Jesenicë, në ditën e 21 dhe 23 të këtij viti, ka ardhur nga drejtimi i Lublanës me automobil me regjistrim zvicëran. Në automobil kanë qenë tre persona. Gjatë kontrollit rutinor të udhëtarit Musa Xhaferi i janë gjetur 25 franga zvicërane. I lartëpërmenduri ka deklaruar se quhet Musa Xhaferi, i lindur me 07.07.1959 në Zijac, Komuna Kërçovë, RS e Maqedonisë. Gjithashtu ka deklaruar se gjendet në punë të përkohshme, saktësisht se studjon në Lucern, Zvicër, dhe se ka qenë në fshat te familja dhe se po kthehet në Zvicër, meqë ka fituar punësimin si mësues. Kur i është shpjeguar se do t’i merren të hollat sipas procedurës se rregullt dhe se do të pason procedura për kundërvajtje doganore, i lartëpërmenduri ka kërkuar të bisedoj me ndonjë person të Shërbimit të sigurimit të shtetit. Në bisedën telefonike me operativin e sektorit për emigracion SDB RSUP SR Sllovenija, Milan Pavlina, i lartëpërmenduri është thirrë në lidhjen e tij me SDB SSUP, duke kërkuar që të informohet inspektori kryesor në SDB SSUP, Aco Milanivic/Aleksandar Milanovic, inspektor kryesor në Drejtorin II të SDB SSUP. Pas konsultimeve i lartëpërmenduri Musa Xhaferi është lëshuar të kaloi kufirin pa ndërmarrje të ndonjë mase doganore e policore. Në automobil, bashkë me të lartëpërmendurin kanë qenë edhe personat vijues: Aziz Polozhani dhe Rexhep Sulejmani, të cilët pas shqyrimit, nuk kanë qenë interesant për hetyuesi.”

Nënshkrues i “dokumentit” Zdravko Mustaq.

     Kjo kopje në fillim figuron e plotësuar me makinë shkrimi, siç e kanë praktikuar ato organe, nuk mban fare datë, pastaj është mbushur me tekst kompjuterik, që nuk ka qenë e zaknonshme, dhe në fund emri i “nënshkruesit” sërish është shkruar me makinë shkrimi. Nga kjo del se teksti me kompjuter është i montuar nga falsifikuesi. Pastaj vërehet kundërthenia, Musa Xhaferi na qenka mbajt aty tre ditë dhe nuk rezulton se ka qenë i paraburgosur, se janë ca sajesa lidhur me punësim të përkohshëm, me studimet e tij në Lucern dhe punësimin si mësues, etj. Sikur nuk shkojnë të tri angazhimet për të njëjtën kohë dhe këto nuk do t’i kishin marrë për të vërteta as ata që na e paskeshin marrë në pyetje. Një “bashkëpunëtor” nuk besoj të ketë guxuar t’i mashtrojë “eprorët”. Musa nuk ka studjuar ndonjëherë në Lucern dhe as nuk ka punuar si mësues.

     Po bashkëudhëtimi me Aziz Polozhanin (tani ambasador) dhe Rexhep Sulejmanin (i panjohur për mua), si duhet të komentohet!?

Gjoja ky “dokument” qenka i bazuar në depesh të “SDB RSUP SR Slovenija”, br. 234/07, nga del se kjo ndodhi është e vitit 2007, meqë shifra 07 reëndom përcakton vitin? Kurse në “dokumentin” nr. 11, të “dosjes” për Fazli Veliun, falsifikohet dezinformimi që gjoja ka për informator Musa Xhaferin: “Violeta Haliti, gruaja e Xhavit Halitit, përdor drogë dhe u shitka si prostitutë në bordele...”

Sa i trash paskësh qenë kodoshi që ka falsifikuar këto “dosje”! Shtrohet pyetja: Si paskësh guxuar të dezinformoj Musa Xhaferi “punëdhënësit” e tij (?!), edhe pse bëhet fjalë për vite kur as Musa dhe as Xhaviti e bashkëshortja e tij nuk ishin fare në emigracion dhe, besoj, këta nuk kanë njohur fare njëri tjetrin, për të mos thënë se nuk kanë ditur për njëri tjetrin nëse ekzistojnë diku. Pastaj, përse kodoshit falsifikues i është dashur të marrë nëpër gojë Xhavit Halitin dhe gruan e tij!? Mos ndoshta tani për të futur huti e përçarje në mes të Musa Xhaverit dhe Xhavit Halitit, meqë kanë vazhduar të ruajnë shoqërinë në mes tyre që nga koha e bashkëveprimtarisë në ekzil, në vitet 1985-1999, e deri sot!? Sa injorant paskësh qenë ky kodosh falsifikator! Turp të ketë ai dhe ata që po i përhapin këto “dosje”!

Kaq përmbanë “dosja” për Musa Xhaferin, ministrin aktual për pushtet lokal në Republikën e Maqedonisë.

Edhe më joprofesionalisti, siç jam unë, do të duhej të vlerësonte se kemi të bëjmë me falsifikime flagrante. Më hidhërojnë sidomos kolegët gazetarë që u japin kaq publicitet, edhe për faktin se shkaktojnë hidhërim, denigrim e huti, të cilat nuk pastrohen krejtësisht me demante e proceudura të fituara gjyqësore.

 

“DOSJA” PËR GËZIM OSTRENIN

 

Gëzim Ostreni

 

Këtë “dosje” nuk do e trajtoj e komentoj, meqë z. Ostreni nuk e njoh dhe me te nuk kam pas ndonjë formë bashkëpunimi. Pastaj për përmbajtje të “dosjes” seë tij nuk kam ndonjë informim, meqë unë kam qenë në ekzil gjatë kohës për të cilën përflitet ai në këtë “dosje”. Natyrisht, unë kam shpreh mendimin tim edhe më herët, publikisht, ndaj kuadrove shtetëror që kanë qenë të punësuar e të angazhuara në struktura të shërbimeve sekrete jugo-sllave. Edhe ata kanë qenë njëra nga hallkat e sistemit jugo-sllav, si edhe të tjerët po të të njejtit sistem. Kanë qenë shumë. Ata nuk mund të gjykohen në mënyrë të shabllonizuar, sepse është dashur të punojnë edhe shqiptarë në ato hallka, në kuadër të mbijetesës evolucioniste të popullit tonë të pushtuar. Përjashto rastet kur të tillët kanë shpërdoruar ligjet e kohës, ose kur kanë mbajtur qëndrime më brutale se nacionalistët serbë e maqedonas. Në këtë kuadër, edhe nëse Gëzim Ostreni ka qenë i angazhuar në shërbime por nuk ka shpërdoruar detyrën për të dëmtuar shqiptarë, nëse ai është angazhuar sinqerisht për çlirimin e popullit tonë, në kohën kur po shpërbëhej RSFJ, siç janë angazhuar edhe shumë oficerë të tjerë të ish’JNA në radhët komanduese të UÇK’së (Kosovë e Maqedoni), atëherë ai duhet respektuar e vlerësuar për këtë kthesë të madhe të tij...   

PËRSE NUK PO ANGAZHOHEN ORGANET

KOMPETENTE PËR TË HETUAR SAKTËSINË

E KËTYRE “DOSJEVE”!?

 

Telenovela “dosjet” ka personazh kryesor, virtual, prof. Shpend Lushin, i cili para gazetarëve tha se këto “dosje” i kishte gjetur në oborrin e shtëpisë se tij. Të habit ky sqarim, se si qenkësh gjetur enkas obrorri i tij, në mes të dhjetëramijë oborreve në Tetovë, për të lënë “dosje”. Në vend që ai t’i studjonte, si doktor i shkencës, dhe pastaj të vendoste t’i ruante për vete, t’i zhdukte ose të thërriste policinë për t’ia dorëzuar, ai vendosi të shfaq në skenë telenovelën e inskenuar nga një ekip i tërë dhe njëherësh t’i dorëzon te Komisioni për lustrim. Mendoj, ata që e kishin bërë këtë skenar, e zgjodhen pikërisht këtë profesor me mendim se ai gëzon besueshmëri te qytetarët, pastaj i fotokopjuan këto “dosje” në shumë ekzeplarë, i sistemuan dhe i lidhën, për t’ua dorëzuar gazetarëve.

·        Përse ishte zgjedhur për kryepersonazh virtual pikërisht prof. Shpend Lushi!?

·        A thua, nuk është i vetëdishëm se çfarë krimi ka bërë përmes këtij shpërdorimi që i kanë bërë?!

·        Vërtetë, i ka gjetur prof. Lushi “dosjet” në oborrin e shtëpisë se tij, apo krerët e PDSH’së ose ndonjë shërbim e kanë obliguar të luaj rolin sikur i ka gjetur?

Kjo, ndoshta, do të sqarohet nëse do të hetohet e gjykohet rasti. Por, nëse prof. Lushi ka luajtur rrol, atëherë është keqpërdorur barbarisht dhe kjo atë nuk e nderon. Ndërsa nëse ka besuar se “melaqet” e kanë ngarkuar me mision për të dekonspiruar e diskredituar personalitet e BDI’së, pasi ia kanë vendos “dosjet” në oborr, atëherë rezulton se ky gjeograf nuk është shkencëtar i vërtetë, sepse i ka përgatitjet profesionale për të parë se kemi të bëjmë me “dosje” të falsifikuara.

·        Vërtetë, kush duhet t’i ketë falsifikuar këto “dosje”!?

     Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, duhet t’u përgjigjen organet kompetente dhe gjykata.

Në këto momente mund të jipen përgjigje spekulative. Këto “dosje” janë prodhim i kreut të PDSH’së, i cili duhet të ketë angazhuar kodoshë mjeranë (siç i quajnë në Tetovë ish UDBashët) për t’i falsifikuar ato. Këto “dosje” mund t’i kenë prodhuar edhe struktura nacionaliste maqedonase, ta zëmë ish oficerë të shërbimeve jugo-sllave, për të ashpërsuar konfliktin në mes të partive shqiptare, që të mos kenë kohë dhe energji të merren me luftën politike për barazi nacionale në Maqedoni, që të mos kenë kohë të merren më efektivisht me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian, që të mos kenë kohë të merren me zhvillim të përshpejtuar ekonomik.

     Telenovela “dosjet” ka trazuar opinionin, jo vetëm atë shqiptar. Këtë telenovelë e publikuan më zellshëm mediat në gjuhën maqedonase. Kjo ma shton bindjen, se falsifikimin dhe skenarin duhet ta kenë bërë strukturat nacionaliste maqedonase...

     Në fund fare, vërtetë përse nuk ndërmorrën asgjë organet kompetente, për të hetuar se nga vinin këto “dosje”!? Edhe mosangazhimi i tyre rrit dyshimin, se këto “dosje” janë prodhim dhe skenar i strukturave nacionaliste maqedonase (?).

     Edhe kur në televizione ish ministri i Ministrisë së punëve të brendshme të Republikës se Maqedonisë dhe ish shefi i Shërbimit (DBK), “dëshmoi” se e kishin rekrutuar dhe komanduar individ për të prishur partinë PPD, duke formuar parti tjetër shqiptare, PDSH’në, shumica e shqiptarëve ose nuk e besonin atë ish ministër, ose u hidhëruan ndaj atij individi. Kurse unë u hidhërova pothuajse vetëm ndaj ish ministrit, i cili dëshmoi se në mënyrë antiligjore kishin komanduar “njeriun e tyre” për të prishur partinë shqiptare, PPD. A thua, mos sërish, kuadro të të njëjtës mendësi, në mënyrë antiligjore, kanë angazhuar sërish “njerëz të tyre”, krerë e militantë të PDSH’së, për të luftuar BDI’në përmes kësaj veprimtarie subverzive!? Kësaj pyeteje është e detyruar t’i përgjigjet vetë BDI’ja, e cila është në pushtet. Por mosangazhimi i organeve kompetente shtetërore për të marrë masa kundër atyre që prodhojnë e shpërndajnë këso “dosjesh”, të cilat po shqetësojnë dukshëm qytetarët, sikur po dëshmon se BDI’ja është në pushtet vetëm virtualisht. Përndryshe, do të kishin marrë masa ndaj këtyre provokuesve, qofshin ata edhe nga strukturat nacionaliste maqedonase, që shpërdorojnë pushtetin (policor) për luftë subverzive kundër shqiptarëve në Maqedoni.

     Mundësia e fundit dhe konkrete është që vetë personalitetet e sulmuara me këto “dosje”, duhet të bëjnë padi personale, jo vetëm kundër autorëve dhe publikuesve të këtyre “dosjeve”, por edhe kundër organeve kompetente që nuk hetojnë në vetëiniciativë, siç i detyrojnë ligjet. Mbrojtja e Fazli Veliut, Musa Xhaferit e Gëzim Ostrenit, si dhe mbrojtja e tyre nga ana e BDI’së, vetëm me ca deklarata, do të rrit irritimin e qytetarëve se mos këto “dosje” janë të vërteta, për të cilat unë shpreha mendimin dhe bindjen, se janë të falsifikuara, të prodhuara e të shpërndara vetëm si mjet lufte subverzive kundër BDI’së.

 

Ibrahim Kelmendi (i.kelmendi@hotmail.com)

Prishtinë, 23 tetor 2010

 

 

 

“DOSJET” E OBORREVE!

 

 

“DOSJA” PËR FAZLI VELIUN

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“DOSJA” PËR MUSA XHAFERIN

 

 

 

 

 

( I përgatiti për botim moderatori i pashtriku.org, 27.10. 2010 )

 

 

powered by Beepworld