Misioni Amerikan në Shqipëri - gjatë LDB’së

PETER LUCAS: "CIA" NDIHMOI

ENVER HOXHËN TË MERRTE PUSHTETIN!

 

Peter Lucas

 

„Misioni Amerikan në Shqipëri - Operacionet sekrete të OSS’it dhe

bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore“.

 

„The OSS In World War II ALBANIA COVERT OPERATIONS and

COLLABORATION with COMMUNIST PARTISAN ≈ PETER LUCAS.

 

Enver Hoxha me udhëheqësit tjerë të UNÇSH’së 1945, ku në mesin e tyre

shihet edhe agjenti OSS Tom Stefan (me rreth të kuq në krahun e majtë të tij).

 

Odriçan 1944: Nga e majta në të djathtë: Koçi Xoxe, Naku Spiru, Enver Hoxha,

Omer Nishani (në rreth) Nick Kukisch - agjent i OSS’it, John O’Keefe, Nexhmije Hoxha.

 

Helmes 1944: Enver Hoxha, Agjenti i OSS'it Tom Stefan, Omer Nishani dhe Çitaku

 

Helmes 1944: Enver Hoxha, Agjenti i OSS'it Tom Stefan dhe Omer Nishani.

 

 

Shqipëria në fokus të të huajve

“NËN HIJEN E STALINIT” – PËRSHTYPJE SHQIPTARE NË VITIN 1981

 Shkruan: Roberto Naupont në MONATO - viti 1982 

Përshtypja e parë në aeroport

Përshtypja ime e parë në Shqipëri është jashtëzakonisht negative. Avioni hungarez u ul në tokë në aeroportin e vockël të Rinasit, i vetmi aeroport pasagjerësh në vend. Udhëtarët në grup të ulur në avion (udhëtime individuale janë të mundëshme vetëm për disa të devotshëm, të përzgjedhur me kujdes) papritur heshti, kur avioni nuk lëvizte më. Dera u hap, që andej hyri ajri i ngrohtë dhe motori i kamionçinës  me dy kohë që po tërhiqte shkallën, ndali befas. Duke vështruar përmes dritares, vura re ca bunkere të vegjël që rrethonin fushën e fluturimit. Sytë e tyre ciklopikë më vështronin me shumë kujdes; çdo gjë heshti tmerrsisht sikur donte ta përforconte këtë përshtypje.

Në heshtje, pasagjerët e lanë avionin, njëri pas tjetrit. Kur po dilja, vura re, se ishim të rrethuar nga ushtarë të armatosur, pushkët e të cilëve kishin bajoneta. Kontrolli i doganës nuk qe i rreptë, na kërkuan vetëm të plotësonim një deklaratë dogane, që premtonte dënimin sipas ligjit ndaj atyre që deklaronin gabim. Pas një kontrolli të sipërfaqëshëm të valixheve tona, ne dolëm në sallon. Jashtë na priste autobuzi i Albturizmit, ndërmarrje shtetërore që planifikon rreptësisht qëndrimin tonë. Unë përshkova tërë gjatësinë e sallës së ndërtesës së aeroportit. Mbi mur vura re një foto të stërmadhe të Enver Hoxhës në mes të një ekspozite propagandistike, foto të banesave të reja dhe të kombajnave në fushë. Një altoparlant transmetonte muzikë ushtarake që u bënte thirrje për marshim trupave të shumënumurta drejt betejës së përgjakshme.

Kontakti i parë

Kontakti i parë me vendin, ishte kur autobuzi ynë na çoi në hotelin për të huajt pranë plazhit të Durrësit. Shqipëria ka pamjen e një vendi të varfër. Fshatarët punojnë në fusha të mëdha kolektive, duket që shumica e punëve bëhet pa makina; kohë pas kohe, një traktor i vjetër kinez tërheq një rimorkio, ku ngarkojnë prodhimin me dorë, më shumë këtë punë e bëjnë kuajt. Shumë shpesh në anë të rrugës shihen parrulla të mëdha: “Rroftë shoku Enver Hoxha”, “Rroftë Partia e Punës së Shqipërisë”, “Të shkojmë në Kongresin e Tetë të Partisë me duar plot”, “Mbrojtja e atdheut është detyra më e lartë”, “Imperializmi dhe revizionizmi do të dështojnë”. Një herë duke vizituar Çekosllovakinë, mendova që atje ka shumë parrulla, por këtu ato janë katër apo pesë herë më shumë.

Në rrugë, autobuzi parakalon kamionë, me prejardhje kineze dhe shumë të vjetër, disa motorçikleta, kryesisht Jawa të viteve pesëdhjetë dhe, kohë pas kohe, edhe automobilë personalë, përgjithësisht Fiat 127 polak. Ndërtesat e fermave kolektive janë në gjendje të mjerueshme, shumë plugje janë mbuluar nga ndryshku. Fshatarët janë më së shumti gra, me veshje pune të amortizuara, disa syresh punojnë këmbëzbathur. Dhe kudo, gjithnjë pranë rrugës, bunkere dhe ushtarë. Mbi një kodër afër rrugës, prapa një fabrike, mund të vëresh, vetëm për një grimcë të sekondës, shumë topa kundërajrorë. Pas një gjysëm ore udhëtim vijmë në hotelin për të huajt pranë qytetit të Durrësit.

Të huajt në Shqipëri

Udhëtimet individuale janë krejtësisht të pamundëshme të paktën për vdekatarët e zakonshëm, por disa të devotshëm ndaj regjimit kanë të drejtë të udhëtojnë me automobil me familjen e vet, duke u shpërblyer kështu nga regjimi për kryesimin që ata bëjnë në shoqatat e miqësisë midis popullit të vet dhe Shqipërisë, të cilët e përshkruajnë vendin sipas klisheve zyrtare, hedhin poshtë të gjitha pikëpamjet e tjera në gazetat vendase dhe organizojnë udhëtime me grupe, dmth filtrojnë pjesëmarrësit, në mënyrë që të ketë në shumicë adhurues të regjimit. Këta miq të Shqipërisë nuk e dinë aspak gjuhën, dashuria e tyre për vendin nuk i shtyn aspak që ta mësojnë atë. Ata, pra, kanë kontakte vetëm me shoqëruesit poliglotë dhe me zyrtarët e tjerë, profesioni të të cilëve është përhapja e të vërtetës zyrtare. Shoqëruesit nuk janë kurrë vetëm në grup, por gjithnjë nga dy, veç kësaj ata zëvëndësohen shpejt. Kariera e tyre, kuptohet, varet nga shkalla, se sa ata kanë sukses në përhapjen e  idesë për një vend që gëzon një sistem të dalluar social dhe politik dhe shkon shpejt përpara. Ata ju prijnë për kah qendra e qyteteve më të pasura, i largojnë hapur fëmijët, që duan t’i shohin të huajt.

Disa shoqërues janë pakrahasim më interesantë, ata nuk përpiqen papushim t’ju fusin juve pikëpamjen zyrtare. Njëri syresh, të cilit i pagova një gotë birrë, madje m’u ankua për rrogat e pamjaftueshme. Megjithatë, të gjithë, pa përjashtim, paraqesin vetëm pikëpamjen zyrtare, por disa vetëm sipërfaqësisht, sepse të them të drejtën, populli nuk ka shumë iluzione për diktaturën e vet. Shoqëruesve u ndalohet të marrin dhurata; njëri syresh me qëllim po vështronte çakmakun tim, kur qemë ulur bashkë në një piejtore; unë e pyeta atë në se ai e donte këtë çakmak. “Jo këtu!” më tha ai. Pak më vonë, në koridorin e errët, unë ia futa çakmakun në xhep. Megjithatë, në autobuz unë duhet të manovroja me shkathtësi që ai të mos rrinte ulur pranë meje dhe duke diskutuar miqësisht të më pengonte që të fotografoja fushën.

Hotelet për të huajt

Hotelet për të huajt ndodhen në plazh, katër kilometra larg në jug të qytetit të Durrësit. Të gjithë kanë të njëjtin stil arkitektonik, shumica janë shtëpi pushimi për shqiptarët. Katër syresh janë të rrethuar me një gardh dhe janë të rezervuar për të huajt. Tregojnë se ato janë ndërtuar nga italianët. Një nga këto hotele ishte jashtëzakonisht luksoz. Në të ka një zyrë këmbimi valutor, një shitore me artikuj plazhi dhe një pijetore nate, që rri hapur deri në një të mëngjesit. Atje luan një orkestër, kryesisht muzikë përëndimore për publikun e huaj të hoteleve. Në këtë hotel luksoz banojnë në fundjavë diplomatët që dëshirojnë të shijojnë detin dhe disa shqiptarë (supozohet që ata s'janë fshatarë). Pranë është një vendparkim, ku parkohen automobilët e diplomatëve. Ato ruhen gjithnjë nga i njëjti polic por s'e di se kundër kujt vallë vjedhësi fiktiv. Në parkun që bashkon hotelet, rriten me rradhë pemë dhe parrulla, këtu me zë të lartë për partinë, atje portrete të Enver Hoxhës. Madje edhe në sallat e pritjes ka fotografi propagandistike. Ka edhe një restorant ku hanë turistët, një taracë ku çdo orë mund të pish raki rrushi (që tani nuk e gjen në shitoret normale). Turistët mund të bëjnë banjë, të hanë, të vallëzojnë dhe madje të pijnë pa u larguar nga hoteli.

Në plazh para hoteleve ka tabela, që e kufizojnë zonën turistike në disa dhjetra metra katrore, kur situata politike e kërkon këtë gjë. Na tërheqin vëmëndjen se ne mund të shëtisim pranë hotelit, por këshillohemi që të shetisim në grup “për shkak të vizës kolektive”, gjithashtu na ndalohet të fotografojmë fabrikat dhe objektet ushtarake (sepse pothuaj kudo ka ose ushtarakë ose bunkerë, e nuk mbetet shumë tjetër për të fotografuar). Nuk kemi të drejtë të shkojmë vetë në qytet, është parashikuar një shëtitje atje. Hoteli ka cilësi të dobët, por në provincë edhe hotelet me cilësi më të mirë gëlojnë nga mizat dhe nga të gjitha nevojtoret dëgjohet kënga ankuese e kasetave të ujit që pikojnë.

Shitoret

Duke mos mundur ta duroj atmosferën e kësaj gracke turistësh (pohoj se duhet të jem tmerrsisht egoist, sepse më të shumtët rrinë atje, pijnë, lahen dhe pastaj krenohem për njohjen e mirë të vendit), ndërsa unë dal e shëtis në mjediset për rreth. Pranë hotelit ka disa shitore, tepër modeste (më pas duhet të pranoja, se sipas kritereve shqiptare ato janë tepër luksoze), një shitore mishi, pothuaj gjithë kohën e mbyllur, dy kioska që shesin perime e fruta, disa baraka druri ku mund të blesh enë gatimi të thjeshta, të rruhesh (mjekrat ndalohen, megjithatë kohët e fundit këtë ua tolerojnë turistëve). Ka edhe një dyqan librash dhe gazetash ku (më vonë do e kuptoja se kjo është diçka e zakonshme) gjysma e librave janë partiakë. Së pari gjen veprën e Shokut të madh, që zë 40 % të gjithë sasisë së librave, më pas veprat e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Gjysma tjetër përbëhet nga në pjesën më të madhe të saj nga romane të realizmit socialist, të gjitha me autorë shqiptarë; gjen mezi mezi dhjetë libra jo politikë: disa vepra klasike (njëra ishte një përkthim i Viktor Hygosë) dhe një ose dy romane kriminalistike. Gjatë tërë qendrimit tim, rrallë pashë shqiptarë të lexonin; kur shihja ndonjë syresh, ata gjithnjë lexonin ndonjë autor të huaj.

Vë re, që orari nuk përputhet me hapjen e dyqanit, dyqanet e frutave rrinë hapur vetëm pak kohë dhe klientët qendrojnë në rradhë.

Është ora 7 e mëngjesit, sot dola sërish vetëm, ndërsa turistët tresin verën e pirë pas mezit të natës në pijetoren e  hotelit që rri hapur edhe natën.

Përpara dyqanit të mbyllur të mishit rrinë galiç rreth njëzetë njerëz, sot ka për t’u shitur mish. Altoparlantët në rrugë transmetojnë lajmet e mëngjesit të radiostacionit të vetëm : Kooperativa Ylli i Kuq pranë Korçës e tejkaloi planin me 30 %. Në Itali bëjnë grevë me mijëra njerëz. Në Poloni nuk mjafton mishi në shitore. Uzina Çeliku i Partisë në Elabasan po fabrikon tani një çelik me cilësi më të mirë. Arrestime të reja në Kosovë. Në Irlandën e Veriut përsëri përleshje midis patriotëve dhe ushtarëve britanikë. U hap një shkollë e re në Shkodër..Në fund fare zëri hesht dhe zëvëndësohet me një muzikë popullore ushtarake por të bukur.

Është ora 8 e një çerek. Numri i atyre që presin në rradhë para shitores së mishit u dyfishua. Vjen një kamion, ai dorëzon dy arka, që mbajnë nga 40 copë mishi të njëllojtë, me kocka dhe plot dhjamë, në qese plastike. Sporteli hapet, rradha tash është bërë shumë e gjatë. Shitësi shpejton. Vijnë klientë të rinj dhe rradha zgjatet edhe më. Unë rri te një trung peme dhe pi cigare. Në rrugë një polic fishkëllen dhe mjetet e pakta të udhëtimit (një karrocë me kalë, një kamion i vjetër dhe disa biçikleta) ndalin. Me shpejtësi rrufe afrohet një Mercedes 280, ku duket vetëm shoferi, sepse pasagjerët fshihen prapa perdeve të zeza, një xhip ushtarak e ndjek nga pas Mercedesin. Një sekondë më pas, trafiku normalizohet. Mercedesi është zhdukur nga pamja qëkur me pasagjerët e vet të rangut të lartë.

Sporteli i shitores së mishit mbyllet shpejt. Klientët e fundit dalin me çantat bosh..Është ora tetë e gjysëm...

Shitoret e fshatit

Dy kilometra pas hotelit, në drejtim të jugut është një fshat me disa stenda shitje, një restorant, një ëmbëltore, një floktore-berber, një dyqan tekstilesh. Nuk e di, në se kjo zonë  është e lejuar për turistët, megjithatë unë shkoj, duke menduar, se nuk do ndodhë asgjë me rëndësi. Shoh disa nga çmimet. Zyrtarisht rrogat janë 400 deri në 800 lekë në muaj duke punuar gjashtë ditë në javë nga 8 orë në ditë, dmth 48 orë. Nga ana tjetër, duhet të jesh pak kureshtar që ta mësosh këtë, sepse në përgjithësi zyrtarisht ju thonë: “Në Shqipëri punohet tetë orë në ditë”, ata që s'janë kureshtarë besojnë se punohet 40 orë në javë; vetëm po të pyesni se sa ditë në javë punohet, do t’ju përgjigjen : “Gjatë ditë në javë”.

Informata japin vetëm kur turisti ka informacion paraprak për vendin. Sepse më të shumtët nuk dinë kurrgjë, dhe s'është nevoja t’i informosh. Në se bëjmë pak llogari, rroga për orë është midis dy dhe katër lekëve.

Ja çmimet, që i pashë në shitore: një kg bukë 2 lekë, një copë gjalpë (që e vlerësova rreth 150 gr) 4 lekë, 1 kg mollë ose dardha 2.5 lekë; një këmishë, tekstil shqiptar, me cilësi mjaft të dobët 45 deri 60 lekë. Në dyqanin e bukës ka ketëm një lloj buke të zezë me miell të pasitur mirë. Futem në ëmbëltore, që më mirë është ta quaj kafene, ku mund të hash ëmbëlsira dhe të pish kafe. Njerëz të shumtë të veshur thjesht rrinë atje para një filxhani kafeje turke, ndërsa para derës luajnë fëmijë këmbëzbathur. Megjithatë ky vend është një parajsë e vërtetë në krahasim me hotelin, sepse, në fund të fundit, jam në anën e popullit, dhe Shqipëria këtu nuk i ngjan absolutisht fare atyre që na tregojnë zyrtarisht.

Të gjithë më kqyrin mua, sepse shumë rrallë ndeshin në të huaj, me përjashtim të Tiranës, kudo njerëzit vështrojnë me etje të huajt, sikur ata të vinin nga një planet tjetër, sepse ata s'kanë krejtësisht kontakte me ta. E kundërta e asaj që na thanë zyrtarët: “Mos fotografoni asgjë pa kërkuar më parë leje, sepse shqiptarët janë tepër krenarë”, (gjë që pati ndikim të mirë) unë nuk ndjej asnjë farë krenarie, por vetëm kureshti; disa buzëqeshin për të na e hequr frikën. Porosis në shqip një ëmbëlsirë dhe një filxhan kafe (gjithsej ka vetëm dy lloje ëmbëlsirash); shitësja e gëzuar më përgëzon për mësimin e  shqipes dhe më pyet se nga cili vend vij. Pyetje të tjera ajo nuk bën, të gjithë klientët, njëri pas tjetrit afrohen te banaku dhe e pyesin me zë të lartë shitësen, se nga vij unë. Gjatë tërë qendrimit tim atje nuk munda të këmbej as disa fraza me shqiptarët. Askush nuk guxon të flasë drejt për drejt me mua, një të huaj.

Më të ndruajturit janë fëmijët, që i lusin (pak me syçeltësi) turistët t’u japin nga një stilolaps dhe çamçakëz ose përpiqen të shkëmbejnë distinktiva. Shoqëruesit tanë i përzejnë. Pse? Mendoj se nga frika zyrtare, se mos t’i shohim që ata janë të veshur keq, që disa s'kanë as këpucë (sidomos në fshat).

Një njëzetvjeçar i leckosur hyn në kafene..ai është këmbëzbathur dhe pështyn përtokë..Propaganda thotë papushim me mburrje, se vendi është i pastër, këtë e thonë edhe shumë të devotshëm. Në fakt ai i ngjan Turqisë, niveli i jetesës është si ai i Turqisë (mbase pakëz më i ulët, në çdo rast më i ulti në Evropë) dhe rrugët nuk janë më të pastra se në Turqi. Njerëzit shpesh pështyjnë për tokë, sidomos kur mbllaçisin fara luledielli. Paguaj kafen dhe ëmbëlsirën (3 lekë) dhe largohem; një nga klientët më afrohet përzëmërsisht në gjuhën time. Para kafenesë ndalin shumë kamionë dhe xhipa ushtarakë, shumë tanke, disa syresh ndodhen madje pranë hotelit për të huajt, të fshehur prapa trasesë ku kalon hekurudha Durrës-Tiranë.

Fshati

Prapa kazermës është një fshat që e vizitova shkurt. Në fshat nuk ka shitore tjetër përveç asaj  shitores tjetër që përmënda pranë kafenesë. Rrugicat janë thjesht verore, me dhe. Janë ndërtuar dy shtëpi të reja. Nga fshati del një veturë Ford Taunus 17m i vjetër, mbase i sekretarit të kooperativës. Disa shtëpi kanë antena televizive. Hyj në rrugicën e fshatit. Nga njëra prej shtëpive dëgjohet një muzikë popullore me zë të lartë, shumë fshatarë rrinë ulur në taracë; mos vallë është ndonjë kafene apoka mundësi ndonjë dasmë? Është e dielë dhe njerëzit janë të veshur më mirë. Disa ushtarë shëtisin nëpër fshat. Shpejt të gjithë banorët i lënë shtëpitë e veta, më afrohen dhe më rrethojnë, 150 fytyra më vështrojnë, mbase nuk vijnë aty shumë të huaj. Njëri nga ata eci drejt meje dhe më kërcënoi me grusht, duke kërkuar me një ton brutal t’i them se çfarë dua unë aty. Një fshatar tjetër më bën një shënjë shfajësimi dhe e tërheq prapa atë që foli. Mëdyshoj disa sekonda dhe parapëlqej mandje të largohem. Është hera e vetme që ndjeva mosbesim te shqiptarët. Megjithë fushatën e madhe propagandistike kundër “perversiteteve të të huajve” që duket më mirë në shumë parrulla, populli tregon një kureshti të madhe për ta, ndruhet t’u flasë atyre por gjithnjë përpiqet t’u tregojë që ata janë të mirëseardhur. Të vjen inat kur e kupton që regjimi e privon këtë popull mikpritës nga një kënaqësi e tillë e natyrshme. Duke udhëtuar nëpër Kosovë (rajon shqiptar autonom i Jugosllavisë) unë jam prekur shumë nga mikpritja e atij populli, që në Jugosllavi s'kishte frikë të fliste me ne, më ftonte shpesh dhe ishin jashtëzakonisht të kontaktueshëm.

Durrësi

Durrësi është qyteti i dytë për nga madhësia dhe porti më i madh i vendit. Ai ka afërsisht 70 000 banorë, sipas informatave zyrtare. Dy rrugë relativisht të mira ashtu sikurse një hekurudhë e lidh atë me Tiranën. Në krahasim me qytetet që i vizitova më pas, Durrësi gëzon pas Tiranës nivelin më të lartë të jetesës dhe shitoret e furnizuara më mirë. Megjithëse nga hoteli ynë nuk duhen më shumë se treçerek orë në këmbë ose një çerek ore më autobuz udhëtim deri në qendrën e qytetit, nuk na e rekomandojnë të shkojmë atje vetëm,  për “arsye sigurimi”. Në të njëjtën kohë na premtuan një shëtitje në qytet.

Tri herë shkuam për ta “vizituar” atë. Herën e  parë, autobuzi e kaloi me shpejtësi një pjesë të qytetit dhe ndaloi para varrezave partizane jo interesante dhe muzeut për historinë e luftës partizane. Në fakt, muzeu përshkruan vetëm rolin e partisë komuniste gjatë luftës çlirimtare, për partizanët jokomunistë asnjë fjalë. Kuptohet shoku i madh Enver Hoxha, busti i të cilit zë qendrën e këtij mjedisi, është themeluesi i partisë, udhëheqësi i tërë luftës, ndonëse disa vepra historike që kanë dalë jashtë vendit e kufizojnë jashtëzakonisht rolin e tij. Pas një humbje kohe shumë të gjatë në muzeum, autobuzi na çoi sërish në hotel, sepse “u bë tepër vonë për shëtitje”. Në përgjithësi në Shqipëri ta humbin kohën me vizita nëpër muzera dhe fabrika model (ndonëse këto të fundit janë më interesante, sepse ke mundësi të shohësh pakëz, që industria është shumë modeste).

Gjatë disa sekondave të udhëtimit tonë pashë rradhë shumë të gjata të rreth 200 njerëzve para shitoreve. Kuptohet, që as kisha kohë t’i fotografoja ato nga autobuzi, gjë që nga ana tjetër është e vështirë të bëhet, sepse shoqëruesi ka vëmëndje për gjithçka dhe duke bërë sikur zhvillon bisedë miqësore, të pengon që të bësh shumë fotografi (madje disa herë ta konfiskon filmin). Udhëtimi ynë i dytë në Durrës dallohesh nga i pari vetëm për nga rruga, që shmangu qendrën, dhe kështu ne ndalëm në rrethinë. Herën e tretë kishim të drejtë të shëtisnim në grup në qendër të qytetit, ku na shpuri autobuzi ynë, që na priste rreth 700 metra më tutje. Lumturisht, nga që bëmë pak pazar në shitore, grupi u shpërnda dhe kishim mundësi ta shihnim pak qendrën e qytetit. Në sheshin e madh  qendror po ndërtonin një godinë të re partiake., disa punëtorë punonin këmbëzbathur. Shitoret dukeshin se kishin mjaft mall, megjithatë çmimet ishin astronomike për rrogat e atyshme, dhe duhet të pohoj më pas, që shumë mallra të atyshme nuk i sheh dot gjëkundi tjetër në gjithë vendin..

Ndërtesat moderne vjetërohen shpejt, në çatitë  mund të shohësh shumë antena televizive.

Televizioni dhe filmat

Një televizor kushton sipas treguesve zyrtarë 3500-4000 lekë; por unë nuk munda të shoh ndonjë syresh në vitrina por mund vetëm të hamendësoj që që ato duhen porositur  dhe pritur në rradhë. Megjithatë televizorët janë të shumënumurt në qytetet që vizituam. Shqipëria ka një kanal televiziv dhe unë hamendësoj që instancat shtetërore falë televizionit mund të gëzojnë një farë ndikimi në mendjen e popullit, sepse pothuaj asnjë qytetar s'i lexon gazetat.

Disa herë, në hotel kam parë në televizor sport (sidomos futboll, që është pasion këtu, sepse në të s'ka ideologji), me lajme në mes të ndeshjes, muzikë (popullore dhe klasike, asnjëherë moderne), disa filma kulturorë të vjetër të huaj.  Sidoqoftë programi televiziv është pakrahasim më interesant se leximi apo kinemaja, sepse më të shumtët e kinofilmave dhe të romaneve përshkruajnë betejat partizane ose jetën e mjerë të fshatarëve para revolucionit. Filma me tema moderne nuk ka shumë, së dyti nuk janë politikisht asnjanës, pashë njërin në hotel: “Në shtëpinë tonë” është një film social kritik. Ai i mëson prindërit si të sillen me fëmijët e tyre. Për arsye të ndryshme, djali nuk shkon një ditë në shkollë (gjë që më bën të dyshoj, që shumë fëmijë mungojnë në shkollë; sepse gjatë ditëve të shkollës kam vënë re shumë fëmijë me uniforma shkollore të shëtisin vetëm nëpër qytet). Vlen të përmendet, që në filma gjithçka është e re, e re është banesa, i ri është kamioni, që nget babai, të reja janë mobiljet, në të vërtetë ato tregojnë vetëm gjërat e bukura, që janë përjashtim në këtë vend dhe përpiqen të na bëjnë të besojmë, që ato janë diçka e zakonshme; kështu veprohet me qytetarët e vet, që shohin çdo ditë që kjo nuk e pasqyron jetën.

Ndarja seksuale

Në Durrës nuk sheh flokë të gjatë, ashtu si në tërë vendin, mjekrat absolutisht jo. Të bie në sy, që ndërmjet djemve dhe vajzave ka një ndarje të rreptë. Vajzat shëtisin së bashku, edhe djemtë po ashtu; përjashtim bëjnë vetëm bashkëshortët. Kjo traditë e rreptë vjen nga  feja islame, sepse qendra e Shqipërisë është islame, të paktën kështu ka qenë, deri sa u ndalua feja me kushtetutën e vitit 1968, (jo me kushtetutë- shënim i imi, B.S.) kur faltoret u mbyllën dhe priftërinjtë e hoxhallarët ( në veri katolikët dhe në jug ortodoksët) u zhdukën, sikurse më ka thënë një i arratisur nga kampet e përqëndrimit. Në çdo rast regjimi mburret për emancipimin e gruas, por nuk e kundërshton fare këtë sagregacion. Në fshat duket që shumicën e punëve e bëjnë gratë. Zyrtarët nënvizojnë që në të kaluarën gratë (madje edhe në fshat?) nuk kishin të drejtë të punonin dhe rrinin me perçe. Megjithatë unë mund të siguroj që në fshat pothuajse të gjitha gratë  janë veshur me shami të bardhë që ka zëvëndësuar perçen në Turqi. Edhe veshjet janë të njëllojta.

Nga ana tjetër, ligjet seksuale janë tepër të rrepta, regjimi synon drejt një popullsie të madhe dhe thotë se mund t’i ushqejë të gjithë banorët, ndonëse më ngjan se edhe sot një pjesë e popullsisë nuk han mjaftueshëm. Rezultati është që popullsia është trifishuar që nga paralufta. Aborti është i ndaluar ashtu sikurse edhe pilulat kundër shtatzanisë dhe prezervativat. Për habinë time të madhe, mora vesh  nga një referuese zyrtare, pasi e pyeta cazë, që nuk ka më pagesë shtesë. Nga ana tjetër, ajo vazhdoi që “marksizëm-leninizmi na mëson që stimujt moralë janë më të rëndësishëm se ato materialë”.

Disa çmime

Në rrugët qendrore të Durrësit, edhe në se kohë pas kohe sheh ndonjë të leckosur, shumica e njerëzve janë të veshur thjesht por denjësisht. Në vitrina mallrat më të shtrënjtë nuk kanë etiketa çmimi. Ja disa çmime që munda të lexoj: një orë muri 400 lekë, një radio e thjeshtë (ngjan me modelin me valvulë; nga të tri modelet që pashë, vetëm kjo më e thjeshta kishte etiketë çmimi) kushton 900 lekë. Një pulovër (tepër e hollë, e pamjaftueshme për dimrin e  ftohtë por nuk pashë ndonjë lloj tjetër në tërë vendin) 200 deri 350 lekë, një gjysëm litri raki (raki rrushi me cilësi të mirë ka  vetëm në hotelin për të huajt, ku ka 3-4 lloje, të gjitha shqiptare) 10 lekë. Uzo (një raki me prejardhje greke, prodhim shqiptar) ½ litri kushton 12 lekë; votkë (shqiptare) ½ litri kushton 10 lekë; raki dëllinjë shumë e keqe (që s'e pi njeri) ½ litri kushton 10 lekë. Kur pyeta për ndonjë raki rrushi të mirë në shitore, erdhi menjëherë një klient shqiptar dhe shitësi na u përgjigj të dyve se “nuk ka”.

Shitorja e cigareve ka vetëm katër lloje cigaresh. Shitoret e ushqimeve janë më së shpeshti për fruta dhe perime, ku ka në përgjithësi mollë, dardha, qepë, kunguj dhe shalqi të mëdhenj, po ashtu rrush. Një kilogram mollë ose dardha kushton 2.5 lekë. Në dyqanin e bukës ka një lloj buke të zezë me 2 lekë. Cigaret, sipas cilësisë: 1.5 lekë- 2- 3- 3.5 lekë dhe 4 lekë. Megjithatë më të shumtat e shitoreve kanë vetëm një lloj 3 lekësh. Duhan për llullë pashë vetëm një herë në Tiranë. Ndonëse hëngrëm patate në hotel asnjëherë nuk pashë syresh nëpër shitore.

Gjenden vetëm katër lloje marmalade (200 g= 4.50 lekë), oriz, dy lloje djathi dhe disa ushqime të tjera. Gjenden edhe soba të vogla druri që të ngrohin në dimër por edhe shërbejnë për të gatuar, të vockla dhe me cilësi modeste; pyeta shpejt një shqiptar për çmimin. 3500 lekë më thotë ai, cilësia nuk është e mirë por mjafton  dhe zhduket duke buzëqeshur. (Të gjithë shqiptarët i shmangin kontaktet e gjata me të huajt, ndonëse në sytë e tyre kishte dëshirë) këpucët, qoftë burrash, qoftë grash kushtojnë mesatarisht 70 lekë, nuk pashë as këpucë dimri, por sandalet kushtonin 25 lekë.

Në rrugën kryesore është një bust i Stalinit. Duke u kthyer te autobuzi, pashë një punishte të vogël për autoelektro. Vështrova brenda; punëtorët e njerëzishëm më dhuruan fruta dhe menjëherë u kthyen në vendet e punës, për të mbështjellë bobinat e dinamove dhe të motorinove me duar.

Uzina

Pasdite rregulluan për ne një vizitë në një uzinë, në atë të Plastikës pranë Durrësit, njëra nga uzinat më moderne në vend që ja tregojnë të gjithë të huajve (përzgjedhja është vërtet e vogël). Ajo është uzina më moderne, që kam parë në Shqipëri. Hyrja është e mbuluar e tëra me parrulla, që ka të ngjarë s'i lexon askush. Të dhënat statistikore në përqindje (shifrat, që kur, nuk i shfaqin më) tregojnë një rritje gjiganteske të prodhimit. Gjatë pesë viteve të ardhëshme ai duhet të rritet rreth 10 % në vit. Vizita në disa ndërmarrje të jep përshtypjen, që këto të dhëna janë të stërmadhuara, dhe çka është më e rëndësishme, nuk mund të mos e kisha përshtypjen, që industria po përjeton një krizë të madhe që nga koha e armiqësimit me Kinën. Ndonëse vizitorët ecin me shpejtësi nëpër punishtet, kjo nuk mjafton për ta fshehur faktin, që është i njohur shumë mirë jashtë shtetit: pothuaj të gjitha industritë e reja janë nga ndihma e jashtëme (në fillim jugosllave, më pas sovjetike, kohët e fundit kineze), të cilat që disa vjet janë ndërprerë krejt. Maqinat më të shumta janë kineze. Në uzinën e prodhimeve plastike gjënden disa maqina jo kineze, nga 20 syresh 2 janë nga RDGJ dhe një nga Franca, në katin e parë ndodhet një në të njëjtin përpjestim maqina jokineze, një nga RFGJ dhe një nga Austria. Duket gjithashtuqë maqinat jo kineze prodhojnë shishe, sandale lodra, ndërsa maqinat jokineze prodhojnë copëza të sheshta (data e konstruktimit shënon: 1975), që tani 3 nuk funksionojnë, duket që disa copë janë thyer.. Zyrtarisht çdo fabrikë ka një ofiçinë, ku mund të tornohen pjesë ndërrimi. Të bie në sy shtresa e pluhurit mbi maqinat që nuk punojnë, që tregon që ato kanë qendruar kështu që shumë kohë. Megjithatë të devotshmit shkruajnë besnikërisht në blloqet e tyre të shënimeve vetëm thëniet pakuptim. Rroga mesatare mujore në këtë fabrikë është zyrtarisht 650 lekë. Nuk mundem, pa u kontolluar, t’i pyes vetë punëtorët, por këtë munda ta bëj në një fabrikë tjetër, ku zyrtarisht më kishin dhënë të njëjtat tregues, por sipas punëtorëve paga ishin rreth 20 % më të ulëta; unë pyeta pa u vënë re disa punëtorë dhe përgjigjet e tyre përputheshin absolutisht. Me befasoi numri i punëve që bëheshin aty me dorë.

Tirana

Ne ndenjëm dy ditë në Tiranë, nga të cilët gjysma u zu me vizita në muzeun etnografik dhe në një kopësht fëmijësh model. A ja vlen të saktësoj, që gjithë të huajt vizitojnë të njëjtin kopësht fëmijësh? Në dhoma nuk ka qoftë edhe një vizatim të fëmijëve vetë, vetëm foto propagandistike; koridori me një bust të shokut të madh dhe një ekspozitë me citatet e tij. (Dhe kjo propagandë gjendet në të gjitha ndërtesat publike: banka, hotele, shkolla, shtëpi pushimi, uzina, stacione treni etj).  Pas rrahjes së shuplakave nga edukatorja fëmijët këndojnë për lavdinë e Partisë dhe të Enver Hoxhës, “xhaxhit Enver” sikurse u thuhet fëmijëve. Pjesa tjetër e ditës ishte jo interesante, sepse u munduan të na mbajnë kyçur duke na projektuar filma propagandistikë brenda në hotel.

Qendra e Tiranës

Qendra e Tiranës ështëme siguri një vitrinë, më e pasur se sa lagjet periferike, që i përshkoi autobuzi ynë. Sheshi i madh qendror mban emërin e Skënderbeut, heroit kombëtar, që ka luftuar kundër turqëve. Ky shesh i bukur është krejt i ri, me pallatin e ri të madh të kulturës, me muzeun historik në ndërtim, me bankën e madhe të shtetit dhe me hoteline  bukur “Tirana”, ku banojmë ne. Shumë njerëz kalojnë papushim nëpër shesh, në të vërtetë shfaqja e shëtitësve në qytetet shqiptare më ka befasuar shumë, sikur shumica e tyre të mos punonin. Unë hamendësoj gjithashtu që shetisin shumë, sepse në shtëpi ka pak vend për banorët e shumtë, unë nuk pata mundësi që  t’i shoh banesat  për shkak të perdeve të dritareve, me përjashtim të një cope muri dhe një rafti të murmë mbi të cilin në përgjithësi vendosin televizorin, nga një herë ndonjë tryezë të vjetër dhe karrike.

Hotel Tirana

Hotel Tirana është më moderni në gjithë vendin; dhoma të bukura me dy krevatë dhe me banjo ku tubat nuk pikojnë. Një ashensor i bukur italian që funksionon, veç kësaj kemi ngrënë mirë në një restorant të madh në krahasim me të ngrënit mesatar në Durrës. Në Shqipëri bakshishi ndalohet; na thonë  që ai është një fyerje për dinjitetin e punëtorit. Në atë hotel shërbyeset e pranuan bakshishin tim, kur askush nuk po i vinte re. Zyrtarisht nuk ka lypësa, megjithatë para hotelit një bandë fëmijësh romë të leckosur kërkonte lëmoshë. Unë doja t’i fotografoja ata por u vonova cazë sa ata ia mbathën dhe u fshehën pas kaçubeve nga ku u shfaqën përsëri për t’u kërkuar lëmoshë turistave të tjerë. I mbaj mend fytyrat e tyre të tmerruara, kur panë fotoaparatin tim.

Bulevardi Stalin

Para hotelit është bulevardi i madh Stalin me statujën e madhe të Stalinit dhe të Leninit dhe me shumë ndërtesa të tjera shtetërore, të ngjyrosura bukur dhe të mbajtura mirë, pa tabela që të tregojnë se për kë bëhet fjalë, natën të ruajtura nga uniforma të armatosura, para tyre qendrojnë automobila. Edhe në këtë bulevard ka një hotel lulsoz Dajti, që e kanë ndërtuar italianët, një galeri e artit modern dhe selia e Komitetit Qendror të Partisë. Rrugët që e rrethojnë janë të mbyllura për çdo trafik dhe ruhen nga ushtaraë të armatosur dhe anëtarë civilë të Sigurimit (policisë politike), kalimtarët ecin gjithnjë në trotuarin përballë, askush pranë Komitetit Qendror. Bulevardi përfundon dyqind metra më tutje me një ndërtesë të fakultetit teknik. Një qind metra pas Komitetit Qendror, kthehuni majtas dhe do hyni në  në një lagje me shtëpi të bukura në parqe të mëdhenj plot me pemë, që ruhen nga ushtarë të armatosur, që kur shohin një të huaj ia bëjnë me dorë burrave të veshur civilë, që rrinë ndën pemët, me siguri anëtarëve të Sigurimit. Është lehtë të kuptohet që këtu banojnë disa udhëheqës të Partisë, me sa duket jo ata të rangut më të lartë, siç thuhet, por është një lagje tabu.

Automobilat

Tirana ka 250 000 banorë dhe është padyshim qyteti më i pasur i vendit, njerëzit përgjithësisht janë të veshur mirë, duken shumë motorçikleta (në krahasim me qytetet e tjera) dhe automobilë personalë që shteti ua vë në disponim pa pagesë borgjezisë partiake. Anëtarët më të vegjël të elitës kanë të drejtë për xhipa, shpesh me prejardhje nga Kina, megjithatë ende punojnë edhe disa xhipa më të vjetër sovjetikë, pas 20 vjet përdorimi. Për nivelin më të lartë shërbejnë limuzinat e bukura franceze Peugeot 505 kurse elita më e lartë fare ka të drejtë për Mercedese me një ose pa ndonjë xhip që i vjen pas, sipas rangut.

Libraria ndërkombëtare

Kjo librari nuk është aq e madhe dhe në të nuk ka pothuajse asnjë botim të huaj, por vetëm ato shqiptare në gjuhë të huaj. Zgjedhja është jashtëzakonisht e pakët dhe në se heqim letërsinë propagandistike, thuajse nuk mbetet asgjë për të lexuar. Koleksioni i revistës së bukur në frengjisht “Les Lettres albanaises” (letersia shqiptare) nuk është i plotë. Mungon numri 4 /1980. Në qytetet e tjera ky numër mungon gjithashtu. Pikërisht cenzura ka lënë në të disa gjurmë të ngathëta (faqet 2 dhe 64) duke ngjitur një letër të bardhë për ta hequr frazën.

Galeria e artit modern

Në Galerinë e Artit Modern janë gumbulluar shumë gjëra të përbindëshme: partizanë fshatarë gjigandë me pushkë në dorë, partizane me një vështrim plot urrejtje, e tëra në sfondin e flamurëve të kuq. Disa piktura realiste të para luftës, midis të tjerash pejsazhet e Zef Kolombit, dëshmojnë që arti shqiptar ka qenë dikur interesant.

Lagjet qendrore

Është vështirë të thuash emrin e rrugëve kryesore, thuajse kudo vetëm rrugët e vockla kanë tabela emërash. Mos vallë për të kursyes para? Mos vallë për të penguar spiunimin? Unë nuk munda të siguroj planet e qyteteve në tërë vendin, kam vetëm një hartë jo të saktë të gjithë vendit. Nuk pashë as libra telefonikë, as në hotele , as në zyrat e postës. Gramafonë, fotoaparate dhe filma nuk i gjen në shitoret e zakonshme, me përjashtim kohë pas kohe në Tiranë, ku siç thonë gjen edhe diskeda. Megjithatë elita partiake ka shpesh fotoaparate ashtu sikurse edhe shumë gjëra të tjera, që nuk i gjen në dyqanet e zakonshme. Është e sigurtë, që ndonëse viztori s’e provon dot kurrë, një pjesë e këtyre gjërave është blerë jashtë shtetit dhe ka dyqane speciale për elitën , ku qytetarët e thjeshtë nuk mund të hyjnë.

Prapa rugëve të reja të qendrës ka shumë lagje të vjetra nëpër të cilat shëtis mbrëmjeve; më duket se jeta para revolucionit nuk ka qenë aq e zezë sikurse na thonë, pothuaj se kudo gjen shtëpi të lyera bukur, sigurisht modeste por të rrethuara me gardhe, thuajse të gjitha kanë nga një oborr të vogël me pemë, ku rrin këndëshëm dhe mund të bisedosh gjatë mbrëmjeve të ngrohta të verës. Ujë të rrjedhshëm nuk ka kudo, fëmijët presin para një çesme me bidona metalikë në duar.Kur shëtis në ndonjë rrugë qorre, një grua më pyet me njerzillëk, mos vallë e kam humbur rugën, më thotë se ka studjuar në Budapest dhe e flet rrjedhshëm hungarishten , pastaj largohet duke u shfajsuar. Mund ta përfyroj mirë që ajo s’ka mundësi të shkojë sërish atje, t’i shohë përsëri miqtë e vet, madje mund të jetë me rrezik t’u shkruajë atyre. Kuptohet që unë mund të hamendësoj shumë gjëra dhe s’mund të provoj asgjë dhe kështu mbetem me një grumbull pyetjesh pa përgjigje, edhe kur përgjigjia zyrtare është e gatëshme.

Në orën tetë në mbrëmje, bulevardi i madh Stalin mbushet me shëtitës, kaq shumë në numër sa kjo i ngjan një manifestimi , për një ose dy orë rryma që po shëtit shkon andej këtej , njerëzit i flasin njëri tjetrit dhe automobilat kalojnë anash rrjedhës, duke çarë rrugën me boritë e tyre. Rinia ka shumë biçikleta; pashë një çift  të martuarish , gruaja e re e veshur me një fustan të bukur nga jashtë shtetit ku i dukeshin paksa nënveshjet; kjo qe shfaqja më erotike që pashë në këtë vend.

Uzina e traktorëve

Fabrika e traktorëve Enver Hoxha, që e vizitojnë gjithë të huajt, zyrtarisht prodhon traktorë të plotë, megjithatë nuk pashë asnjë syresh; ka më shumë të ngjarë që kjo fabrikë e ndërtuar nga kinezët prodhon vetëm pjesë ndërimi për traktora, nga ana tjetër ka aty një ekspozitë me prodhime, pjesë ndërrimi për motorat kinezë të traktorëve dhe për diagaçët. Në ofiçinë duket një makinë shqiptare, një torno, që nuk funksionon, viti i prodhimit 1979, ajo duket që tani e amortizuar; pyetjes sime përse ajo nuk punon, i përgjigjen se s’ka përfunduar ende së prodhuari..Bie në sy gjithashtu cilësia e dobët e çelikut dhe teknologjia primitive.

Ligjërata

Në orën gjashtë hymë në sallonin e hotelit, ku një ligjërues partiak  na ligjëron përmëndësh në gjuhën tonë një tekst (nga njëherë me pëshpëritjen e shoqëruesit). “kulti i individit te ne nuk ekziston..shoku Enver Hoxha është truri ynë i përbashkët.” “të gjithëve që s’janë dakord me ne, ua presim gishtin; në se kjo nuk mjafton edhe krahun, dhe po qe se edhe kjo nuk mjafton edhe kokën..” Ligjërata zgjat aq sikur nuk do mbarojë kurrë. I vështroj gishtrinjtë e mi, ato janë zverdhur krejt prej nikotinës, tash po e kuptoj përse burrat në këtë vend pinë kaq shumë duhan..

Fshati

Tri të katërtat e popullsisë (zyrtarisht 60-66 %) jeton në fshat. Ndonëse zyrtarët thonë “Kemi një bujqësi të zhvilluar” ajo më ka lënë përshtypjen e një varfërie të skajshme dhe të një hidhërimi të pakrahasim. Asnjëhere automobili ynë nuk ndalet në fshat, por ne mund të shohim diçka përmes dritares aq sa mjafton për të mos i besuar thëniet propagandistike.  Në grupin tim të filtruar më parë ka komunistë të rinj që janë veshur me rroba që s’i gjen në dyqanet e këtueshme, kanë aparate fotografikë japonezë të kushtueshëm , magnetofonë etj, megjithatë ata këndojnë : “të edukuar në mjerim ne e dimë se ose do fitojmë lirinë ose do vdesim”. Ndërkohë autobuzi përshkon fushat ku punojnë me duar e këmbëzbathur gra e fëmijë dhe ku ka shumë shtëpi të mjerueshme.

Tabllotë fshatare

Dy herë gjatë qendrimit tim na u propozua një “vizitë” në një  kooperativë ose fermën shtetërore Na përcollën midis rreshtave të portokalleve dhe fiqve dhe kishim të drejtë të mbanim një ligjëratë, më pas ikëm pa parë qoftë edhe një stallë të vogël apo pulari.

Një herë na çuan në një fshat që në krahasim me ato që shihnim nga autobuzi s'ishte i varfër. Autobuzi ndali para shkollës dhe drejtuesit i larguan banorët që shpejtuan për të na parë dhe disa sekonda më pas ishim në hyrje të shkollës ku sekretari i partisë na mbajti një ligjëratë për jetën në fshat. Pas dy orësh ligjëratë nga e cila mbaj mend që fshatarët fitojnë 14-21 lekë në ditë pune, vizituam një shtëpi që ishte banesa e vetme që pamë dhe që rastësisht qëlloi të ishte ajo e sekretarit të partisë. Në atë shtëpi të lyer bukur, gjithçka e pastër pa njolla, na pritën shumë fshatarë me nga një gotë raki, biskota dhe këngë revolucionare; gjysëm ore pas këtij takimi “spontan” shkuam në hotel. Tani ata që besojnë mund të tregojnë për kushtet e denja të jetesës të fshatarit shqiptar që i kishte parë me sytë e vet.

Udhëtimi në jug

Udhëtuam nëpër rrugën kryesore nga Durësi drejt jugut të Shqipërisë. Rajoni i Durrësit është rajoni më i pasur bujqësor që pashë. Si mund të jetë jeta në fshatrat e shumënumurta që nuk na treguan? Gjatë vjeshtës dhe dimrit me shi ato me siguri janë krejt të izoluara, sepse rrugët janë të pashtruara, me baltë.

Në rrugën kryesore duken shumë ara. Në përgjithësi ato lërohen me traktorë, megjithatë në shumë rajone kam parë kuaj e qe të tërheqin plugjet, që s'ishin gjithnjë prej hekuri. Kombajnat duken rrallë. Kositja, mbjellja bëhen me dorë. Shumica e traktorëve është në gjëndje të keqe, ato mund të tërheqin vetëm rimorkiot. Qetë dhe kuajt në përgjithësi i tërheqin këto, rrotat janë shpesh prej druri. Fëmijët dhe pleqtë vështrojnë lopët e dobësuara (nuk ka rënë shi që prej shumë kohësh sivjet). Më befason që disa fshatarë flenë nën pemët. Në fshat nuk ka kaq shumë antena televizori si në qytet, sheh disa kioska të vocka druri, që janë shitore perimesh dhe frutash, por ato rrinë pothuaj tërë kohën mbyllur.

Kësaj tablloje fshatare ia vlen t’i shtoj bunkerët që rriten kudo; ndanë rrugës, në mes të fushës, mbi kodra; ndërtesat e fermës  janë të mbuluara nga parrulla. Sa orë janë dashur për t’i ndërtuar bunkerët, sa shumë i kushtojnë ato vendit? Të mbjellat janë shpesh në gjendje të keqe, bimët e egra shpesh rriten sipër tyre. Ndanë rrugës ka shpesh kasolle me degë pemësh, ku vendoset prodhimi në arka druri dhe mandej peshohet. Shumë vetë punojnë këmbëzbathur (e çmova disi numrin e tyre nga 10-20 % sipas rajonit; nga ana tjetër vetë në Tiranë kam parë fëmijë këmbëzbathur, disa syresh edhe bjondë që do të thotë se s'janë kështu vetëm romët). Megjithatë duhet të shtoj se në çdo fshat ka rrymë elektrike, ndonëse nuk e di, a është kjo e vërtetë edhe për rajonet që nuk mund t’i vizitojnë të huajt. Ky është mbase një sukses i regjimit; ia vlen të theksoj që stacionet dhe linjat e reja elektrike duhet të jenë dhuratë e B.S., dhe pjesërisht e Kinës. Rrugës duken shumë ushtarë, qerre me kuaj dhe gomarë. Pashë madje një fshatar që rrinte sipër një gomari ndërsa gruaja që i shkonte pas ishte ngarkuar me një barrë shkarpa.

Në letërsinë propagandistike na tregojnë shpesh fusha kulluara. Në fushat e mëdha të Durrësit këtë e pashë, por shumë kanale janë në gjendje të keqe, disa nuk funksinojnë. Në rrafshnaltën bregdetare ka edhe sera; çatia e tyre është shpesh një fletë e tejdukshme plastmasi, në shumë fusha mbetën vetëm trarët dhe copat e shqyera të fletëve të plastmasit. Shumë fshatarë hanë pranë rrugës: bukë dhe fruta, në përgjithësi rrush dhe shalqi. Çfar habë ata në dimër, kur mbeten vetëm frutat e serave? A mjaftojnë këto ushqime për punën e lodhshme? Ja sërish një varg pyetjesh pa përgjigje. Pranë rrugës një grup fshatarësh  është ulur në tokë dhe prapa një tryeze një kuadër i veshur mirë po ju flet: shumë nga ta janë këmbëzbathur.

Fabrika e tekstilit

Në Berat vizituam fabrikën, kuptohet të ndërtuar nga kinezët (më parë quhej Mau Ce Dun). Maqinat janë shumë të zhurmëshme dhe veshët e punëtoreve të pambrojtura, rrotullat nuk janë të mbrojtura fare me zgarë. Në një nga fabrikat po bëhet pushimi i mesditës, ndërsa drejtoresha e fabrikës na sqaron se ushqimet në mencë janë të lira për punëtoret, unë shoh dhjetëra syresh që hanë bukë dhe fruta jashtë mencës, ulur nën pemë. Edhe në tryezat e shkrimit nëpunëset hanë vetë.

Berati

Hoteli më i mirë është në qendër të Beratit. Ja një rast i mirë për ta vizituar qytetin. Drejtuesja vjen me vrap: “Shokë (kështu) ku po shkoni, menjëherë do shhkojmë të vizitojmë muzeun e qytetit”. Unë megjithatë vazhdoj rrugën. Qyteti duket pakrahasis më i varfër se Durrësi ose Tirana. Nuk ka pothuaj asnjë automobil. Të gjithë më kqyrin mua, unë shpejtoj të bëj disa fotografi; ka pak antena televizive, nën hijen e xhamisë prej plumbi të mbyllur ku është muzeu që do vizitojmë bisedojnë disa pleq. Në një palo shtëpi gjysëm të rrënuar është selia e ndërmarrjes shtetërore të transportit. Disa kamionë të vjetër po presin aty, disa janë rusë, të tjerë kinezë, shumë goma janë të amortizuara, radiatori pikon. Nis ta kuptoj pse shohim rrugës shumë autombule të difektuar. Në Berat ka dy xhami dhe një kishë ortodokse, të gjitha të mbyllura që nga viti 1967. Te një xhami kanë bërë muzeumin për historinë e qytetit; brenda saj nuk ka absolutisht asgjë, që mund të ngjallte ndonjë ndjenjë fetare, të gjitha pikturat murale janë zhdukur, dhe muret janë lyer në të verdhë. Xhamia tjetër ka një shitore sendesh përkujtimorë për turistët me një shitore të vockël për sende shkollore. Çfarë patë? – më pyeti drejtuesja menjëherë pasi u ktheva. -Vërtet s'është e lehtë të bësh diçka me nismën tënde.

Feja

Në faqen e malit një kishë ortodokse duket si një depo mallrash. Nga ana tjetër numri i xhamive është befasishëm i vogël; në Tiranë unë pashë vetëm një, po ashtu në Korçë, dhe kjo është tepër pak në krahasim me Jugosllavinë ose rajonet e tjera të pushtuara dikur nga turqit. Në vitin 1973 u pushkatuan tre priftërinj, midis tyre edhe prifti katolik Shtjefen Kurti, u pushkatua sepse kishte pagëzuar një fëmijë. Në Sarandë kam parë një kishë ortodokse, ku kishin parkuar biçikletat. Në përgjithësi në to vënë nga një tabelëzë me mbishkrimin: “Monument kulture-mbrohet nga shteti” dhe me përjashtim të vendeve ku vinë turista, e lënë faltoren të rrënohet. Në Korçë faltorja është rrënuar, ajo ndodhet në një lagje të vjetër, ku nukvenë turistat, duket se në të banojnë të pastrehët të cilët ia mbathën kur u afrova unë. Kur autobuzi kaloi pranë disa varrezave, pashë gurë varri me formë tradicionale myslimane dhe ortodokse, disa madje kishin edhe kryq ose gjysëm hënë dhe ishin të reja, sepse ende s'ishin zverdhur. Ja gjithçka që munda të shoh për fenë në këtë vend.

Qyteti- muze

Pjesa e vjetër e Beratit është qytet- muze. Shtëpi të bukura të bardha, rrugica të vockla në faqe të malit janë me siguri të vizitueshme. Për këtë qytet të bukur nuk më mungojnë fotografitë. Mbi malin pranë mund të lexojmë emrin e shokut të madh, të shkruar me gërma të mëdha prej guri. Megjithatë mënyra se si e vizituam këtë pjesë të bukur të qytetit, me siguri nuk do të gjejë një përshkrim në broshurat zyrtare të botuara: pas një udhëtimi 200 metra autobuzi ndali para xhamisë. Ndërsa turistat blejnë në dyqanin e përkujtimoreve disa vepra artizanale me valutë përëndimore, një nga drejtuesit largohet hapur. Pas një çerek ore ai kthehet dhe ne vizitojmë në këmbë dy ose tri rrugica, ku nuk takuam kërkënd; të gjitha dyert ishin të mbyllura, disa ishin të hapura një centimetër, prapa tyre pashë sy që përpiqeshin të vështronin të huajt pa u vënë re. Në sytë lexohet një frikë, që shpjegon zhdukjen pa u vënë re të drejtuesit.

Muzetë

Turistët vizituan kuptohet muzetë. Ishin hapur veçanërisht për ne disa muzeume. Asnjëherë nuk pashë njerëz në muzetë e hapura, me përjashtim të Galerisë së Artit Modern dhe Muzeut Etnografik në Tiranë.  Duke folur pakëz me drejtorine  muzeut i cili u gëzua që e njihja disi shqipen, mbaj mend habinë e tij kur i thashë se pothuaj askush nuk interesohet për Shqipërinë në Evropën Përëndimore. Propaganda zyrtare përpiqet t’i bëjë shqiptarët të besojnë se Shqipëria gëzon një prestigj shumë të madh në botë dhe disa nga grupet e pakta të turistëve përmënden në gazeta jo si turista por sikur vijnë në Shqipëri me idenë për të mësuar në këtë fener të socializmit për tërë njerëzimin, sepse ajo është vendi i vetëm socialist dhe demokratik i vërtetë.

Elbasani

Udhëtimi për Korçë, një qytet i madh provincial (me 60000 banorë) në pjesën jugpërëndimore të vendit është mjaft interesant, ndonëse ne ndalëm vetëm gjysëm ore në Elbasan për të pirë kafe. Elbasani duket jo shumë i pasur, disa fëmijë na kërkojnë çamçakiz (na tërhoqën vëmëndjen se ndalohet t’u japim gjëra vendasve) dhe stilolapsa (çmimi i një stilolapsi është për një cilësi të mirë kineze 15-40 lekë). Kam parë edhe llustraxhinj, sikurse edhe në qytetet e tjera. Para librarisë kryesore janë ukur disa njerëz. Bashkëudhëtari më tërheq vëmëndjen për një libër në gjuhë të huaj; kur lexova titullin (“Me Stalinin”) dhe emrin e  autorit (kuptohet të shokut të madh), njerëzit që rrinin ulur buzëqeshëm me hidhërim, sikur donin të thonin: “Askush s'e lexon këtë te ne”.

Korça

Nuk e di me saktësi, përse instancat shtetërore shqiptare e zgjodhën Korçën për t’ua treguar turistëve, qendra është sigurisht e ndërtuar rishtazi por dhjetë vjet më pas ajo duket e hirtë dhe e trishtuar ashtu sikurse dhe shumica e ndërtesave të reja. Lumturisht ka edhe lagje të shumta të vjetra, që nuk na i tregojnë, por që mund të arrihen lehtë nga ne, sepse hoteli më i mirë ndodhet në qendër të qytetit. Në Korçë ka shumë pak trafik. Në hotel pashë disa kuadro partie, njëri nget një Peogeot 505, një tjetër një Volvo, që më pas e pashë para ndërtesë së Partisë. Klima është mjaft e ftohtë dhe gjatë qendrimit tonë bie shumë shi. Megjithatë hijeshia e Korçës është për mua një mundësi për të shëtitur gjatë dhe pa drejtues. Uzina e mjeteve të precizionit “Petro Papi” dhe shtëpia e bukur e pushimit mbase përcaktuan vendimin për të na treguar Korçën, neve turistëve. Si në Tiranë njerëzit shëtisin në mbrëmje në rrugët kryesore. Edhe ne shëtisim atje në grup. Ne blemë në grup në librari pas daljes së klientëve normalë (vetëkuptohet). Shumë shëtitës nuk kanë pulovera megjithë kohën e ftohtë. Në një shitore aty pranë ka pulovera që kushtojnë ndërmjet 250 dhe 350 lekë (rroga e 2-3 javëve). Si në Tiranë shtëpitë e vjetra janë tepër të pashme, megjithëse jo të mirëmbajtura.

Kuadrot

Para pak kohësh, një universitar francez i respektueshëm tha në një libërth për Shqipërinë: “Shqipëria ecën drejt shoqërisë së barabartë, më të barabartë që ekziston tashmë në Evropë”. Në hotelet e mira ka më së shpeshti kuadro. Të veshur mirë, sipas kritereve shqiptare, ata kanë orë dore të bukura, pëlqejnë për zyze montimet me prejardhje amerikane “Ray Ban” që nuk pata mundësi t’i vërej në shitoret shqiptare; ata udhëtojnë me automobilë të bukur; shpesh me shoferë, që i përdorin shpesh për familjet e veta. Gratë e tyre kanë unaza dhe bylyzykë të bukur, veshin fustane të bukur dhe lyhen. Në Butrint pashë shumë syresh me qese plastmasi që mbanin adresat e shitoreve në Paris, Athinë dhe Stokholm, shënjë që shumë udhetojnë jashtë vendit, gjë që është absolutisht e pamundur për qytetarët normalë.

Bashkimi i grave

Gjatë qendrimit tonë në Korçë, vizituam shtëpinë e Bashkimit të Grave. Në selinë vendore të komitetit që e hapën veçanërisht për ne, ka përveç gjërave propagandistike të zakonshme (një bust i madh dhe citatet e shokut të madh), një ekspozitë për pjesëmarrjen e grave në luftën partizane dhe në ndërtimin e rendit të ri. Në bibliotekën aty pranë pothuaj të gjithë librat janë politikë, të tjerat janë revista gjysëm politike. Një botim i ri i veprave të shokut të madh qendron në një vend të mirë. Një shtresë e trashë pluhuri mbi to regon që askush s'i ka lexuar ato prej kohësh. Në njërën nga fotot e ekspozuara duket një pikë boje e zezë, që ka të ngjarë se fsheh diçka. Vështroj albumin e bukur për Shqipërinë e Re, nga dyqind faqe tetë faqe janë këputur (është botim i vitit 1969); është një foto që bie në sy e disa anëtarëve të Komitetit Qendror: mbi dy fytyra kanë bërë një kryq me bojë të zezë, në mënyrë të tillë sa nuk mund të njihen dot. Bëhet fjalë për dy nga udhëheqësit e pushkatuar! Për çdo armiqsim ka ndodhur një varg i tërë burgimesh dhe pushkatimesh kryesisht në Komitetin Qendror, por janë zhdukur edhe mijëra të panjohur. Sipas metodës së mirëfilltë staliniste, ata janë fajësuar për tradhëti. Emrat e viktimave të armiqësimit me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik janë të njohur mirë poashtu edhe ato të karrocës të fundit plot me njerëz që do të ekzekutohen. Enver Hoxha ka denoncuar shumë antarë të lartë të qeverisë gjatë kongresit të 7-të të Partisë për komplot, që synonin të përmbysnin pushtetin popullor, t’i hapnin rrugën revizionizmit dhe të rivendosnin kapitalizmin në Shqipëri!!!

Në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës në Gjirokastër, një shtëpi e madhe luksoze, që shumë shqiptarë duhet ta kqyrin me zili, emërat e shumë partizanëve të dikurshëm janë ngjyer me bojë ose janë mbuluar nga emëra të tjerë.

Lufta dhe izolimi

Udhëtimi për Gjirokastër zgjat katër orë, nga ku ne shkojmë nëpër malësi për në Sarandë. Zgjedhja e kësaj rruge nuk i bindet kritereve shumë të arsyeshme, sepse s'është më pak e gjatë dhe mundësisht më e bukura rrugë pranë detit, por hamendësoj se në veri të Sarandës ka një bazë ushtarake. Gjatë këtij udhëtimi të gjatë ke mundësi të shohësh përveç bunkerëve të zakonshëm shumë gjëra të tjera ushtarake, kazerma, të rrethuara me tela me gjemba, të ruajtura nga ushtaraë të armatosur, disa herë të fshehur prapa drurëve apo prapa kodrës, ndërtesa misterioze të ruajtura me ushtarë, të rrethuara me tela me gjemba dhe kulla vrojtimi. Një herë ndesha në një repart të tërë ushtarësh që kthehej nga stërvitja; pyetjet e disa udhëtarëve për gjëra ushtarake nuk merrnin përgjigje nga drejtuesi, i cili po këndonte një këngë lavdie për Enver Hoxhën. Armët janë të vjetra dhe duket se me prejardhje kineze, mitralozët e lehtë janë kopje të të famshmit Kallashnikov.

i tërë vendi përjeton një psikozë lufte. Të gjithë vendet e tjera përshkruhen nga propaganda si armiq, kundër të cilëve vendi i vetëm socialist duhet të qendrojë fort. Shërbimi ushtarak zgjat 2-3 vjet (nuk e di sipas cilëve kritere), pastaj janë të detyruar të bëjnë çdo vit shërbim ushtarak dyjavor. Në shkolla jepet mësim i detyrueshëm ushtarak edhe për vajzat. Në fabrika bëhen edhe ushtrime ushtarake, ka sinjale me zë në rast sulmi kimik, gazi ose atomik. Gra me uniformë janë një shfaqje e shpeshtë në qytetet shqiptare. Në përgjithësi ushtrimet e detyrueshme ushtarake i shtohen kohës së punës. Në uzina disa panelë tregojën se si të mbrohemi nga sulmi atomik, gazi apo bakterial, ndonëse kundërgazet e bëra vetë prej një shamie hundësh përmbushin për mendimin tim vetëm një rol psikologjik sigurimi. Duke udhëtuar nëpër qytete e fshatra sheh kohë pas kohe grumbuj dheu, nga ku dalin disa oxhaqe, të mbyllur me dyer të hekurta. Për shumë kohë nuk e kuptova rolin e tyre, më në fund e mora vesh se ato ishin strehime kundër atomit..

Me një psikozë të tillë lufte vëmëndja e njerëzve kthehet jo nga problemet e vërteta. Regjimi, me anën e mijëra parrullave,dhjetëra romaneve patriotike, përpiqet që njerëzit t’i harrojnë dështimet ekonomike. Në se mungojnë mallrat, për këtë fajin e ka “blokada” armike. Fajësohen madje edhe kinezët për sabotim në instalime industriale, që i kanë ndërtuar vetë (shpesh pa u paguar), sikurse bënin më parë me jugosllavët dhe sovjetikët.  Tablloja që japin për një të huaj është po ajo: vendet e qeverisura nga komunistët e kanë tradhëtuar socializmin pas vdekjes së Stalinit, kanë rivendosur kapitalizmin, të gjitha vendet e tjera shfrytëzohen egërsisht nga padronët dhe popujt e botës e kqyrin Shqipërinë plot shpresë. Vendet me të cilat Shqipëria ka lidhje të mira, janë të pakta, këto janë përjashtimisht ato të Vjetnamit, Koresë së Veriut dhe regjimit fetar iranian(!). Pak prishje e izolimit do të shkatërronte tërë ngrehinën propagandistike, megjithatë për të dalë nga katastrofa ekonomike, vendi pa shpresë kërkon ndonjë huadhënës. Industrialista përëndimorë vizitojnë Shqipërinë për këtë qëllim, bëhet lëshim për pak turizëm për të marrë valutë (kryesisht në se si rezultat do të vijnë entuziastë që do përhapin tabllonë “pozitive”).

Sidoqoftë kjo është vetëm një shmangie taktike, e diktuar vetëm nga nevoja ekonomike. Deri në vdekjen e Enver Hoxhës regjimi nuk mund të ndryshonte absolutisht (ai qe 73 vjeç-) midis të tjerash për arsye sepse ai ishte partia, regjimi. Fakt i çuditshëm: u armiqësua me aleatin kur vendi mik u liberalizua.

Ballshi

Udhëtojmë nëpër fushën naftëmbajtëse të Ballshit. Rafineria, pak modeste sipas kritereve përëndimore, është ndërtuar nga kinezët. Por ata nuk e përfunduan atë, sepse ndodhi më para tij armiqësimi. Zyrtarisht tregojnë që ata “u përpoqën të sabotojnë” gjë që unë dyshoj. Ajo sot funksionon pjsërisht. Lumi që përshkon Ballshin, është krejt i zi, i ndotur nga nafta. Regjimi kërkon të besojmë se s'ka ndotje në vend. Kjo është pjesërisht e vërtetë..sepse ka pak industri. Por ku ka industri, atje ka edhe ndotje. Ekologu i respektuar francez R.D. dikur kandidat i pasuksesshëm për president republike, ka shkruar se Shqipëria e mbron modelisht natyrën e vet. Nga ana tjetër ai bashkëkryeson shoqatën e miqësisë Francë –Shqipëri (është për t’u vënë re se pak para udhëtimit për në Kubë ai pat shkruar se atje s'ka të burgosur politikë; një vit më pas Fidel Castro liroi vetë zyrtarisht 600 të burgosur politikë..) Instalimet e shpimit dhe të pompimit janë të vjetra, ato duken mirë që nga autobuzi, tubat e naftës pikojnë dhe toka është nxirë prej naftës. Shumë pompa nafte nuk funksionojnë, minimumi një e dhjeta. Mos vallë shtresat po shterojnë? Mos vallë makineritë po vjetërohen? Nëpër tërë vendin stacionet e benzinës mbajnë parrulla për kursimin e naftës.

Saranda

Vijmë në fund  të pasdites në Sarandë. Psi bëmë banjë para hotelit, që është paksa jashtë qytetit, mbetet shumë pak kohë për të shëtitur në grup në qendrën e qytetit. Për kriteret shqiptare, ai është i pasur, me ndërtesa të shumta të reja të ngjyera në të verdhë, që ë kujtojnë disi Greqinë dhe i bëjnë të hareshme blloqet e banimit. Qendra është kryesisht një vendqendrim pushimor për elitën partiake, që mbush plot hotelin e  mirë ku banojmë ne. Në qendër është një lagje e tërë me shtëpi të mjera, por s'kam mundësi ta lë grupin e të shkoj atje për vizitë. Zgjedhja e mallrave në shitore është e madhe në krahasim me qytetet e tjera provinciale. Shëtisin shumë ushtarë të marinës luftarake. Në port nuk ka absolutisht asnjë anie peshkimi ose varka peshkimi. Mos vallë për shkak të afërsisë me Korfuzin, që duket mirë nga këtu? Në shitore nuk ka peshq të tjerë përveç sardeleve nga Vlora. Në vend që të flija unë dola të shëtis krejt vetëm herët në mëngjes. Në port ka vetëm një anie mallrash shqiptare, më pas vjen  një anie ushtarake e shpejtë me motor nga ana e jugut; hamendësoj që ajo kontrollon detin për të pamundësuar ikjen në Korfuzin e afërt.

Butrinti

Pas një udhëtimi të ngadalshëm një orësh në një rrugë të ngushtë, ku ndeshëm në shumë ushtarakë me gomarë transporti, erdhëm në mbeturinat antike të Butrintit. Pas vizitës së rrënojave autobuzi na çoi në një restorant luksoz pranë detit, kupushojnë kuadrot. Disa bij të elitës shkuan të bënjë banjë, ata fishkëllejnë melodi përëndimore që s'i kam dëgjuar kurrë në radion shqiptare. Mos vallë ata dëgjojnë stacionet përëndimore apo kanë sjellur gramafonë dhe disqe? Asnjëherë s'kam dëgjuar nga radio program tjetër veç atij në shqip, prandaj vura vesh duke kaluar pranë banesave me dritare të hapura. Asnjëherë s'kisha parë ndonjë antenë televizive të drejtuar nga tjetër stacion përveç atij shqiptar, ndonëse në atë rajon mund të kapësh edhe sinjalet e televizonit grek.

Nga ana tjetër atje jetojnë pakica greke, të cilat sipas thënieve të të ikurve kanë vuajtur nga përndjekjet. Mund vetëm të them që të gjitha mbishkrimet janë në gjuhën shqipe, zyrtarisht grekët kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e vet gjatë viteve të para të shkollës (gjë që është një farë diskrimnimi). Në librari pashë disa libra në gjuhën greke të gjitha të shtypura në Shqipëri, kryesisht përkthime të autorëve shqiptarë apo të veprave të shokut të madh. Ishte edhe gazeta “Lajko Vima” në greqisht, kopje e Zerit të popullit dhe e kontrolluar rreptësisht. Pashë vetëm një numër ku kryeartikulli i kushtohej librit të fundit të udhëheqësit të dashur “Kur lindi Partia”, po atë ditë kishte recenza për të në të gjitha gazetat shqiptare. Duke vështruar një hartë të re të Shqipërisë mora vesh që emri i qytetit grek Theollogo (fjala e Zotit) është ndërruar në “Partizan”. Mbi një kodër pranë gjirit duket diçka, që ngjan me një kullë vrojtimi. Ndërmjet dy rradhëve të portokalleve, një kuadër po reciton për mua një varg të gjatë të statistikave përrallore për bujqësinë. I mërzitur largohem për në restorant. Ky numër i programit quhet “vizitë në fermën shtetërore të Ksamilit”.

Gjirokastra

Në restorant kaluam pothuaj tërë pasditen, ai është larg çdo fshati, e vetmja gjë për t’u parë ëshët plazhi i bukur, që fsheh pakëz kushtet e jetesës së shqiptarëve. Vijmë në Gjirokastër në mbrëmje dhe duhet të shpejtojmë për në shtëpinë –muze, ku ka lindur shoku i madh. Është natë pasi bëmë vizitën dhe nesër duhet të udhëtojmë. Si zakonisht zgjohem herët në mëngjes dhe shëtis nëpër qytet. Ai është një qytet- muze me shtëpi të vjetra dhe ndërtesa të pakta të reja. Në qendër pranë hotelit të mirë, ku banojmë ne janë shitoret, rrugicat dhe shtëpitë e vjetra të ngjyrosura hareshëm shumë të këndëshme, rrugicat e shtruara dhe të pjerrëta që më përcjellin për në lagjet e tjera. Ka vetëm një banak druri për të shitur fruta dhe perime. Ngarkesa sillet me kuaj ose gomerë, nganjëherë  ndonjë kamion i vjetër kalon nëpër rruget e pjerrëta. Pata mundësi të kem disa kontakte me popullsinë tepër të përzëmërt, por ajo si zakonisht kufizohej për disa sekonda shkëmbim muhabetesh banale. Si në Turqi aty ka hamej, pashë edhe romë të leckosur. Megjithatë për shkak të mosqenies së lagjeve të reja proletare qyteti është i këndëshëm dhe parrullat ngrihen vetëm në qendër. Në kështjellën qendrore ka një muzeum armësh, që e vizitova, me të gjitha llojet e pushkëve dhe shumë gjëra të tjera jo interesante  sikurse një citat dhe një bust i shokut të madh, një statujë partizani plot urrejtje në fytyrë.

Drejtshkrimi

Ndonëse drejtshkrimi shqip është fonetik shoh shumë gabime gramatikore në afishet e shkruara me dorë, në parrulla madje edhe në tabelat e dyqaneve. E pyes drejtuesin, mos vallë janë forma dialektore dhe ai përgjigjet pa mëdyshje: “absolutisht jo!”. Regjimi mburret në broshurat propagandistike për nivelin e  lartë të arsimit të popullsisë, megjithatë edhe në vendet me drejtshkrim të vështirë nuk kam parë aq shumë gabime në fjalët e thjeshta.

Patosi

Qendrimi dyjavor përfundoi. Nuk kam parë kaq shumë muzera, nuk kam humbur kaq shumë kohë duke pritur autobuzin ndonjëherë tjetër si këtu. Janë përpjekur më shkathtësi të na pengojnë kontaktet me anë të zhvendosjeve të çmëndura. Atë që pata mundëis ta shoh për dy javë, mund ta realizoja i vetëm brenda 2-3 ditësh. Në fund të qendrimit, duke ardhur në qytet, kur shikoja një fabrikë të re, ndërtesë të re apo një hotel të ri thoja: atje do të shkojmë. Dhe nuk gaboj se unë tash e njoh mirë Shqipërinë zyrtare. Pranë Patosit është një restorant i ri buzë rrugës. Dhe kuptohet që ne ndalëm atje. I bie rrotull restorantit dhe shkoj në guzhinë, ata që shërbenin aty dalin njëri pas tjetrit dhe ..Epo unë flas shqipm jo shumë mirë por mund të më kuptojnë. Nga vij unë? Ata duan të shohin paret e huaja, habiten nga filigrani dhe cilësitë e monedhës së huaj. Në përgjithësi kartmonedhat shqiptare janë shumë të pista për shkak të përdorimit të gjatë. Mos vallë këtë e mundëson stabiliteti  çmimeve? Nuk e di, megjithatë kam parë një herë një shishe me raki të mirë, çmimi i të cilës (12 lekë) ishte hequr dhe zëvëndësuar me 17 lekë. Populli nga ana tjetër flet me lekë të vjetra ( një lek i ri-= 10 lekë të vjetër), a ishte nevoja ta rivlerësonin lekun në se çmimet absolutisht nuk do ndryshonin?

Kontaktet me ata njerëz janë për mua burim i një gëzimi shumë të madh, sikur të kisha dalë nga ndonjë çmendinë dhe të kisha gjetur njerëz normalë. Ata më dhuruan fruta. Sikurse kudo në Shqipëri, njerëzit e harrojnë budallallëkun e sistemit. Më në fund autobuzi lëshon burinë, duhet të nisemi. Kryekamarieri më pyet në një gjuhë shqipe pa theks, në se di disa fjalë greqisht. Kur largohem më përshëndet në greqisht. Ai është grek dhe dëshiron të më tërheqë vëmëndjen se këtu jetojnë grekë.

Fieri

Ndalim në Fier për të ngrënë. Në vend që të pijmë një kafe unë dalë të shëtis pranë hotelit. Rruga kryesore mban emërin e  shokut të madh. Ajo është relativisht e re me fasada të shumta të lyera rishtaz, në mes ndën pemët është një bust i Stalinit. Shoh automobilin ku rri një familje e tërë. Një grup prej tridhjetë njerëzish po vështron një motorçikletë Honda me targë të Tiranës. Pranë, dy djem njëzetëvjeçarë me Jawa duken të veshur thjeshtë. Para hotelit parkon një veturë  dhe një karrocë me kalë. E fotografova rrugën kryesore. Rrugët pranë saj janë më modeste, njerëzit rrinë në trotuar pranë një restoranti të varfër ku janë parkuar edhe disa karroca të tjera me kuaj. Ndërkohë dëgjohet buria e autobuzit.

Përshtypjet e  fundit

Jam sërish në aeroportin e Rinasit, të rrethuar nga ushtarët ashtu sikurse erdha. Përsëri po ato foto të shokut të madh që më duken të çuditshme. Muzika si më parë ka melodi ushtarake. Në doganë nuk më kontrollojnë rreptë. Para shkallares së avionit një polic ma kontrolloi pasaportën me kujdes, krahasoi foton në të me fytyrën time, pranë i rri një ushtar i armatosur me uniformë të re fringo që stonon me unifomat e vjetëruara që kam parë gjithëandej. Këtë e bëjnë për të ndaluar ndonjë që don të ikë. Çdo javë në verë ka 4-5 fluturime për në Shqipëri, kryesisht të kompanive lindore. Këtu vijnë kryesisht disa të privilegjuar e të filtruar më parë nga agjentët turisrtikë. Avioni hungarez nis fluturimin, toka poshtë nis e bëhet më e vogël, edhe bunkerët nuk duken më. Po ashtu ato tri Mig-ët në fushën e aeroportit dhe shumë topa kundërajrorë. Shtëpitë zvoglohen , njerëzit duken si miza. S'e kisha parë asnjëherë kështu tokën që lija poshtë duke u larguar me fluturim. Avioni drejtohet për kah deti, ndonëse ka edhe rrugë tjetër, por nuk na lejohet të fluturojmë mbi tokë..

(*Këtë shkrim e solli për botim z. Bardhyl Selimi)

 

 ------------------------------

 “JU TREGOJ PEMËN E FAMILJES TË ENVER HOXHËS” 

 Shkruan: Armand JONUZI

(www.pashtriku.org-15.06.2007 / 10:25)

------------------ 

Deri më sot kemi njohur vetëm një pjesë të jetës së Enver Hoxhës, atë që lidhet me aktivitetin politik. Por burimet arkivore si dhe të dhëna të tjera na sjellin në duar atë që quhet gjeneza dhe bekgraund-i i familjes së tij. "Tirana Observer" boton për herë të parë pemën gjenealogjike të Enver Hoxhës. Kush ishin paraardhësit e tij, i ati, Halili dhe e ëma Gjyle, por edhe pasardhësit. Në një intervistë, Mexhit Kokalari rrëfen se si e zbuloi këtë dokument tepër të rrallë si dhe më të rëndësishmen si u konvertuan të parët e Enverit nga katolikë në myslimanë.

Si e zbulove pemën e gjenealogjike të familjes së Enver Hoxhës?
Unë, si gjirokastrit, jam nga lagja Palorto e qytetit të Gjirokastrës. Në vijë të drejtë shtëpia ime me atë të Enver Hoxhës mund të jetë rreth 200 metra. Pavarësisht se jam jurist, prej kohësh jam marrë edhe me studime historike. Këtë e kam bërë për të nxjerrë historinë ashtu siç është. Unë kam shkruar shumë libra me tema historike. Midis dokumenteve arkivore që kam studiuar, kam zbuluar edhe historikun e qytetit të lashtë të Gjirokastrës.
Unë këtë gjë e kam zbuluar nga një dokument që e kemi trashëguar nga xhaxhai i Enver Hoxhës, Hysen Hoxha. Dokumenti ishte i shkruar në turqisht, madje më vonë në atë dokument ai kishte shtuar edhe anëtarët më të rinj të familjes. Në bazë të atij dokumenti dilte se i pari i fisit të tyre të dikurshëm ishte Kolë Gjoni. Xhaxhai i Enver Hoxhës, Hyseni e kishte përkthyer atë nga turqishtja në shqip dhe e kishte bërë në disa kopje. Pesë nga këto kopje ai ua kishte shpërndarë disa miqve dhe fqinjëve të tij, ndër të cilët bënte pjesë edhe familja ime. Me pak fjalë kjo ishte arsyeja se si unë zbulova pemën e gjenealogjike së familjes së ish-udhëheqësit komunist.

Pse e ndryshuan mbiemrin paraardhësit e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha?
Në vitin 169-para erës sonë, Pirroja i Epirit që sundonte këto vende, ky vend quhej me emrin Epir. Pasi emri Gjirokastër ka dalë shumë vonë. Në vitin 1419 Gjirokastra u pushtua nga turqit, të cilët bënë shumë shkatërrime. Pas dy shekujsh Gjirokastra u ripërtëri përsëri, por kryesisht nga të ardhurit nga rrethe të tjera, të cilët u vendosën kryesisht rreth kalasë së Gjirokastrës. Midis tyre ka ardhur nga fshatrat përreth edhe familja e Kolë Gjonit me profesion mullixhi. Ai zuri me njerëzit e tij një vend jashtë kalasë. Kolë Gjoni së bashku me familjen e tij u kthye në mysliman dhe bëri edhe një punë të madhe për kthimin e një pjesë të madhe të popullsisë së asaj zone nga të krishterë ortodoksë në myslimanë. Për kontributin e tij autoritet qeveritare i dhanë mbiemrin Hoxha. Kolë Gjoni në lagjen Palorto ngriti edhe mullirin që punonte me kuaj. Konkretisht në kopshtin e sipërm të Hamdi Tartale. Veglat e mullirit gjenden edhe sot në katuan e Abedin Hoxhës. Ku sot banon rrobaqepësi Sabaudin Kodra. Sot ngjitur me shtëpinë e Enver Hoxhës, e cila u dogj në vitin 1913 nga pakujdesia ndodhet edhe shtëpia e Avdyl Kolës, i cili nuk e ndryshoi mbiemrin. Kjo është me pak fjalë historia se si e ndryshuan mbiemrin paraardhësit e Enver Hoxhës.

Nga e kanë prejardhjen?
Mjafton të dimë që pasuria tokësore e prindërve të Enver Hoxhës dhe andej mund të nisemi për të zbuluar se nga ka ardhur Kolë Gjoni me rrethin e tij.

Nipërit dhe mbesat e Enver Hoxhës

Shtatë janë nipërit dhe mbesat e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Ai pati tre fëmijë nga të cilët dy djem, Ilirin dhe Sokolin, si dhe një vajzë, Pranverën. Nga martesa e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit me Teutën, çifti solli në jetë tre djem. Ndërsa, Pranvera ka dy fëmijë nga martesa e saj me Klement Kolanecin. Edhe Sokoli nga martesa e tij me Liljanën pati dy fëmijë.

Rei si Enveri, lindi më 16 tetor

Pinjolli i fundit i familjes Hoxha quhet Rei Hoxha. Ai është fëmija i vogël i Ermal Hoxhës, djalit të madh të Ilir Hoxhës, dhe nipit të ish-udhëheqësit komunist. Si për koincidencë, Rei Hoxha, ashtu si edhe stërgjyshi i tij, Enver Hoxha, ka lindur në një ditë me të në 16 tetor 2000. Rei është 6 vjeç e gjysëm dhe këtë vit do të futet në klasë të parë.

JETËSHKRIMI

Emri: Enver
Mbiemri: Hoxha
Datëlindja: 16 tetor 1908
Vendlindja: Gjirokastër

Arsimimi
Mësimet e para i mori në Gjirokastër, ku dhe ndoqi studimet në Liceun e Gjirokastrës.
Në vitin 1930 shkoi të studionte me një bursë studimi shtetërore, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Montpeljes të Francës, por shumë shpejt e la. Pas një viti në Fakultetin e Biologjisë ai shkoi në Paris ku kërkoi të studionte në Fakultetin e Filozofisë.
Në nëntor të 1933-ës la Parisin për të punuar si sekretar në Konsullatën Shqiptare në Bruksel. Aty filloi studimet universitare në Fakultetin e Jurisprudencës dhe vazhdoi me korrespondencë studimet e filluara në Paris. Për shkaqe politike u pushua nga puna dhe në vitin 1936 u kthye në Shqipëri.

Aktiviteti politik
Më 1936 u njoh me Ali Kelmendin. Më pas hyri në Grupin Komunist të Korçës, dhe filloi të punojë si profesor në Liceun Francez të Korçës.
Më 7 Prill 1939 me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste u pushua nga puna si profesor në Liceun Francez për shkak se nuk pranoi të regjistrohej në partinë fashiste shqiptare. Nga Korça shkoi në Tiranë ku filloi të punoje si profesor në Gjimnazin Shtetëror, nga ku pas një kohe të shkurtër u pushua nga puna. Me ndihmën e disa shokëve gjeti punë në një dyqan cigaresh ku u ndihmua nga komunistët jugosllavë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Me themelimin e saj më 8 nëntor 1941, ai u zgjodh si anëtar i Komitetit Qendror Provizor. Pas përpjekjeve për formimin e Frontit Nacionalçlirimtar u dënua me vdekje në mungesë nga gjykata fashiste.
Në mars 1943, në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste u zgjodh si sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.
Në vitet 1945-1954 ai ishte kryeministër i Shqipërisë dhe në vitet 1946-1953 ai mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Enver Hoxha mbante edhe gradën gjeneral. Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985 në Tiranë.

Kthehu ne fillim

-------------------------------- 

ÇKA I SHKRUAN MEHMET SHEHU ENVER HOXHËS - NË TË GDHIRË TË 18 DHJETORIT 1981, NJË DITË PARA VETËVRASJES ?!


Në 25-vjetorin e ngjarjes më të bujshme të ndodhur në vitet kur Shqipëria ndodhej nën regjimin komunist, asaj të vetëvrasjes së Kryeministrit Mehmet Shehu, “Gazeta Shqiptare” publikon letrën e plotë të shkruar nga ai, një natë para se të gjendej i pajetë. Në fakt, kjo letër është publikuar edhe disa vite më parë nga Gazeta, por e censuruar në pjesët ku përmendeshin emra të drejtuesve të asaj kohe. Arsyeja për të cilën u bë kjo censurë ishte detyrimi ndaj ligjit, i cili sanksionon se dokumente të tilla të skeduara si sekretë shtetërorë në arkivat e shtetit, nuk mund të publikohen pa kaluar 25 vjet. Që prej ditës së sotme ligji e bën të mundur publikimin e plotë të letrës së fshehur prej çerek shekulli në arkivat sekretë të shtetit shqiptar.

Enver Hoxha

Me lejen edhe të historianit Paskal Milo, i cili bëri të mundur gjetjen e këtij dokumenti, Gazeta publikon sot letrën, e cila hedh dritë mbi shkaqet, arsyet, dhe situatën në të cilën ndodhi kjo ngjarje. Ish-Kryeministri Mehmet Shehu, i njohur si më i ashpri i asaj kohe, në këtë letër drejtuar shokut dhe mikut të tij të ngushtë, diktatorit Enver Hoxha, rrëfen arsyet që e çuan drejt këtij veprimi.

 
“Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovi që arritën për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve”, - shkruan Mehmet Shehu, në të gdhirë të 18 dhjetorit të vitit 1981. Më tej ai shkruan se po e ndërmerr këtë veprim, i detyruar nga situata e krijuar në Parti nga personat, të cilët ai i quan Jago dhe Hrushov.

MEHMET SHEHU:KADRI HAZBIU DHE RAMIZI(ALIA)INTRIGA KUNDËR MEJE

Mehmet Shehu i vdekur në shtratin e tij

________________________

“Jagua dhe Hrushovi i partisë sonë”. Pothuaj e gjithë letra e fundit e gjetur pranë shtratit të vdekjes së ish-kryministrit autoritar Mehmet Shehu, në 18 dhjetorin e 1981, ka këtë lajtmotiv. Këto pjesë që mund të hidhnin dritë mbi këta dy personazhe janë pikërisht ato që janë censuruar në botimin e parë të kësaj letre. Dy drejtues të lartë të Byrosë Politike, të cilët kishin intriguar dhe sjellë situatën rreth Shehut, deri aty sa njeriu më besnik i udhëheqësit të detyrohej të shkrehte armën drejt vetes. Po cilët ishin këta dy personazhe që kishin arritur të thyenin karakterin e tij të ashpër deri në këtë pikë. “Unë po e lë jetën për partinë pa hezitim dhe me gjakftohtësi se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur partinë…- shkruan Mehmet Shehu, - Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi) të takon ty ti gjesh, ata dihen, njihen”. Në një rast ai e zbulon se kë quan Jago, pjesën kur flet për Kadri Hazbiun, ndërkohë që “Hrushovin” preferon ta lërë misterioz. Megjithatë në këtë version të plotë të letrës së fundit të Mehmet Shehut, për herë të parë, zbulohet edhe emri i Ramiz Alisë, që sipas tij ishte drejtuesi i Foto Çamit dhe një grupi tjetër drejtuesish të partisë që kishin arritur të shpëtonin nga përndjekja edhe pse kishin bërë të njëjta gabime ideologjike me ato të cilat përballej Shehu. Ish-kryeministri, që shkruante rreshtat e fundit në jetën e tij, ka preferuar të mos ta thotë hapur se kush është “Hrushovi” i PPSH, megjithatë ka lënë shumë gjurmë për të arritur deri te ai. Më poshtë po botojmë për herë të parë të plotë letrën e fundit të Shehut, të gjetur pranë shtratit të tij pas vdekjes. e.t.

&

Po vdes i pafajshëm, [më vrau Jagua i Shqipërisë!]


Shoku Enver, në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, me shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre, Partia dhe populli do të jenë mirënjohës”.

[ “Unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj”. Enver 11qershor 1981]



Shënim: Nënvizuar nga unë. M.SH

“Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kërkosh tjetër”

Origjinali i këtij teksti është si më poshtë


Kreu i letrës së Mehmet Shehut

Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, unë e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik, i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politikë të datës 17 nëntor(1981) u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe më në fund, ju e quajtët atë “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike, dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, d.m.th. gënjeshtër, mashtrim.


Në një shënim që më dërgove në 28 tetor 1981, në lidhje me projekt-autokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementëve negative në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte”...disa elementë negative të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.
Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë [ Nga kush? Nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovi që arritën për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen.]


Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën [për ta]. Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlysh i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste; atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç e kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy )Jagon –gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), - pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë –leninistë? “d.m.th.s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them po të doni, kjo është puna juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane. E rastit që ajo që ai propozoi në vitin 1977 në Byronë Politike për të revizionuar sistemin arsimor tonin e për ta kthyer shkollën e mesme në shkollë 10-vjeçare, njësoj si shkolla sovjetike?... (Nuk kuptohen disa fjalë në origjinal). [Po Foto Çami që në vitin 1975 me grupin e tij, nën drejtimin e Ramizit... (mungon një frazë).- është e pakuptueshme në origjinal). Pse s’u bë çështje ai propozim?] Unë bëra një faj politik dhe kjo u fry, nën ndikimin e Jagos dhe Hrushovit tonë (është e vetmja kritikë që të bëj) Jagua ishte në luftën antifashiste dhe s’ka qenë krejtësisht i pastruar... ( Nuk kuptohen disa fjalë në origjinal), gjersa në mbledhjen e djeshme të Byrosë Politike, [nën ndikimin pikërisht të manipulimeve të Jagos] unë u quajta “Uni që e vë veten mbi Partinë”, mendjemadhi që s’pyet për të tjerët”, “monopolist i gjithë punës shtetërore, dhe njëmijë e një akuzave shtet. Jo shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm”(me ju!), për të vënë veten mbi partinë, etj akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dale përpara Enver Hoxhës(dualizëm)., për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë[nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre,] ishte se unë gabimin e kam bërë (për të vënë veten time mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, d.m.th kundër Partisë. Kaq shpejtë u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju, personalisht, nuk më quajtët armik, por [Jagua, Hrushovi e edhe] të tjerë, duke duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik.


E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik,[armiku është Jagua] A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis në të dyve, d.m.th për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Belishovën e Cu En Lain? Ata s’mundën t’ia arrinin dot qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye komplotit.[Këtë herë ia doli në krye Jagua(Kadri Hazbiu)]. Ju mund të ma quani si të doni, e keni vetë në dorë! Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin[nga Jagua dhe Hrushovi] se, ndryshe, pas teje këtu do sundojnë hrushovjanët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them [për Jagon dhe Hrushovin tonë,] atëherë unë s’të kam faj, i dashur Enver aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia-vetëvrasja.
Edhe një herë : Amanet Partinë nga Jagua e Hrushovi! Partia jonë ka kuadro plot besnikë plot të tjerë.


Faksimili i letrës së Mehmet Shehut

Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste leniniste! Rrofshi ju, të paktën sa të siguronim Partinë e socializmit nga Jagua dhe Hrushovi, dy komplotistët e sotshëm më të rrezikshëm dhe shumë e shumë vjet të tjera!


Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinezë) në krye! Rroftë komunizmi! Poshtë reaksioni!


Amanet familjen time- Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë.
Po vdes i pafajshëm, [më vrau Jagua i Shqipërisë!]


Tiranë 18.12.1981

&

Kurrikulumi i Mehmet Shehut


Lindi në janar 913 në Çorush të Mallakastrës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932. Shkon në Napoli për të studiuar në Kolegj Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare. Kthehet në Shqipëri dhe burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937. Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë. Më 1939 kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqëndrimi. Kthehet në Atdhe në gusht 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës.

• shkurt ’43 është komandant i çetës Plakë të Mallakastrës.
• mars ’43 kandidat i KQ.
• Gusht ’43 Komandant i Brigadës I-rë
• Maj ’44 zv. Komandant i Divizionit I-rë –kolonel
• Gusht ’44 kom i Divizionit I
• tetor 1944 gjeneral-major
• ’45-46 student në akademinë “Voroshillor” Moskë
• ’47 Shef i Shtabit të Përgjithshëm
• ’48-54 zv.kryeministër dhe ministër i brendshëm
• 54-81 Kryeministër
• 48-81 anëtar i Byrosë Politike
• Gjuhët: Anglisht, frëngjisht, italisht,spanjisht, rusisht


Gazeta Shqiptare 18.XII.2006, Tiranë

Kthehu ne fillim

_____________________________________________________________

 

Dossier

Botohet intervista e ish-kryeministrit dhënë për gazetën amerikane në vitin 1957

MEHMET SHEHU FLET PËR GAZETËN “NEW YORK TIMES”

Peter LUCAS

Unë desha të ndiqja gjurmët e Harison Sallsbërit (Harrison E. Salisbury) sapo lexova shkrimin e tij mbi Shqipërinë që u botua në faqen e parë të gazetës "New York Times" në gusht 1957.


Sallsbëri, natyrisht, ishte korrespondenti i famshëm i "Times" për zhvillimet e jashtme. Ai ishte gazetari i parë amerikan që u lejua të hynte në Shqipëri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, Shqipëria ishte një shtet i mbyllur policor komunist, i cili drejtohej me dorë të hekurt nga Enver Hoxha, kryetari paranojak i Partisë Komuniste, Mehmet Shehu, i cili në atë kohë ishte kryeministër dhe një grup komunistësh besnikë. Askush tjetër, përveç komunistëve luajalë të disa vendeve perëndimore, nuk mund të hynte në Shqipëri dhe askush nuk mund të dilte prej saj. Qindra shqiptarë që kërkonin të gjenin lirinë në Perëndim janë vrarë nga rojet e kufirit, ndërsa përpiqeshin të largoheshin. Ata që arrin të dilnin nga Shqipëria linin pas familjet e tyre, të cilat arrestoheshin apo dërgoheshin në kampet e përqendrimit.


Kuptohet se për qeverinë shqiptare, që të lejonte një gazetar amerikan të vizitonte vendin në atë kohë, ishte pa dyshim një ngjarje e rëndësishme. Sallsbëri, jo vetëm që pa mjaft nga Shqipëria gjatë vizitës së tij njëjavore këtu, por ai i mori gjithashtu një intervistë ekskluzive Shehut. (Atij iu tha se Enver Hoxha ndodhej në atë kohë për pushime në Bashkimin Sovjetik). Kjo ishte e para herë që Shehu i jepte intervistë një gazetari amerikan. Njëkohësisht dhe hera e fundit. Shehu sulmoi Shtetet e Bashkuara përmes një retorike të Luftës së Ftohtë për përpjekjet e saj të fshehta për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, ndërkohë që, sado ironike të tingëllojë kjo, ai u shpreh se donte që marrëdhëniet midis të dy vendeve të përmirësoheshin. Shtetet e Bashkuara në atë kohë as që e njihnin Shqipërinë.


Intervista shkaktoi një sensacion të vogël. Atëherë unë studioja në kolegj për t'u bërë shkrimtar dhe gazetar. Në atë kohë unë i vura qëllim vetes që një ditë të vizitoja Shqipërinë dhe të shkruaja për të. Atëherë unë natyrisht nuk mund ta dija se në gusht të vitit 1986, 29 vjet pas vizitës së Sallsbërit dhe gjashtëmbëdhjetë muaj pas vdekjes së Hoxhës, më 11 prill 1985, unë do të isha gazetari i dytë amerikan që vizitonte Shqipërinë. (Me siguri fakti që unë kisha origjinë shqiptare më ndihmoi që të më jepej vizë, edhe pse në të kaluarën, kur Hoxha ishte akoma gjallë, mua më ishte refuzuar shumë herë dhënia e vizës). Përpara se të nisesha për në Shqipëri unë fola me Sallsbërin dhe, pasi u ktheva, i dërgova atij kopje të artikujve të mi që shkrova mbi udhëtimin tim, të cilët u botuan në "Boston Herald". Ai më dërgoi një shënim miqësor. Sallsbëri vdiq më 1993, kur ishte 85 vjeç.
Në artikullin e tij të 1957-ës, Sallsbëri përshkruante takimin e tij të parë me Mehmet Shehun në zyrën e tij në Tiranë. Më 1954 Shehu kishte zënë vendin e Hoxhës si kryeministër. Shehu kishte veshur "një kostum zyrtar ngjyrë gri të qepur mirë, këmishë të bardhë dhe një kollare të mëndafshtë blu dhe të bardhë". Shehu e përshëndeti Sallsbërin në anglisht. "O.K., How are you?" Sallsbëri citonte fjalët e Shehut. Sheu kishte mësuar anglisht kur ishte nxënës në Shkollën Profesionale Amerikane në Tiranë, prej së cilës ai u diplomua më 1932. Ai e përshkruante Shehun, 44 vjeç në atë kohë, si "një burrë të pashëm, me një të folur të qetë", i cili "konsiderohet përgjithësisht autoriteti i dytë shqiptar pas Z. Hoxha. Një fotografi e z. Hoxha dekoron shumicën e zyrave qeveritare në Shqipëri. Fotografitë dhe bustet e Stalinit janë të vetmet që i gjen thuajse po aq shpesh sa edhe ato të z. Hoxha. Sidoqoftë, në zyrën e z. Shehu, të vetmet fotografi të tjera janë ato të Marksit dhe të Leninit", shkruante Sallsbëri.

Mehmet Shehu

________________


Në retrospektivë, ajo që kishte rëndësi në atë intervistë ishin akuzat e Shehut më 1954 se Shtetet e Bashkuara kishin dërguar agjentë në Shqipëri me "qëllim përmbysjen e pushtetit të popullit dhe rivendosjen e regjimit të vjetër të latifondistëve dhe kapitalistëve". Shehu i akuzoi Shtetet e Bashkuara se u kish dhënë azil disidentëve shqiptarë të mundur të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, se i kishte trajnuar ata ushtarakisht dhe dërguar në Shqipëri si diversantë për të "kryer spiunazh, sabotim dhe vrasje", në mënyrë që të përmbysnin qeverinë.
Ato çfarë tha Shehu ishin të vërteta, edhe pse askush në Shtetet e Bashkuara nuk i besonte ato në atë kohë. Kaq qesharake u konsideruan akuzat e tij në atë kohë, sa Departamenti i Shtetit as që mori mundimin t'i përgënjeshtrojë ato. Megjithatë, siç është dokumentuar nga Nikola Bethëll (Nicholas Bethell) në librin e tij "Të tradhtuar" (Betrayed) si edhe nga të tjerë, britanikët dhe më pas amerikanët, dërguan agjentë në Shqipëri, të cilët zbarkuan në brigjet shqiptare apo parashutuan në fillim të vitit 1949. Programi i tyre sekret përfundoi me dështim më 1953, pasi të gjithë agjentët shqiptarë u vranë sapo zbarkuan, apo u kapën, u gjykuan dhe u ekzekutuan. Shqiptarët kishin qenë paralajmëruar mbi këtë plan nga agjenti anglez Kim Filbi (Kim Philby). Ajo që Shehu nuk përmendi në intervistën e tij, sidoqoftë, ishte sundimi i terrorit nën regjimin e Hoxhës, në të cilin qindra shqiptarë, që në mënyrë të pafajshme kishin rënë në kontakt me agjentët, u arrestuan dhe u ekzekutuan, ndërsa familjet e tyre u dërguan në kampet e përqendrimit.


Shehu e pyeti Sallsbërin, si me të qeshur, nëse ishte politika e Shteteve të Bashkuara që ta çlironte popullin shqiptar nga populli shqiptar?! Ai nuk mori përgjigje.


Sallsbëri shkruante: "Pavarësisht nga kritikat e tij ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara, z. Shehu nuk e mbajti të fshehtë bindjen e tij se ai do të preferonte më mirë të jetonte në paqe me Shtetet e Bashkuara. Në fakt, ai nuk mendonte se mund të kishte alternativë tjetër".


"Ne nuk mund të shkojmë dot në Hënë", tha Shehu me një shprehje sarkastike. "Dhe ju nuk mund të shkoni dot në Mars. Ne duhet të jetojmë së bashku. Ka vetëm një Tokë. Nëse nuk bashkëjetojmë, ne do të vdesim së bashku".
Shehu kishte dhe s'kishte të drejtë me këtë që thoshte. Vërtet është vetëm një Tokë dhe të gjithë njerëzit dhe kombet duhet të mësohen të jetojnë me njëri-tjetrin. Ai kishte të drejtë për këtë. Por vërtet mendonte ai vallë se shqiptarët nuk mund të shkonin në Hënë dhe amerikanët nuk mund të shkonin në Mars?


Nëse vërtet ai mendonte kështu, mendo për një çast sa më poshtë: Vetëm tre muaj më parë se Shehu t'i bënte këtë koment mbi Hënën dhe Marsin Sallsbërit, më 1957, një djalë i quajtur Uilliam Gregori (William G. Gregory) u lind në Lockport, New York. Prindërit e tij ishin emigrantë shqiptarë, që shkuan në Shtetet e Bashkuara nga fshati Dardhë i Korçës. Gregori u rrit dhe studioi në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Ai u bë aviator dhe astronaut. Ai kreu fluturime në hapësirën kozmike. Edhe pse ai nuk fluturoi me anijen e tij kozmike në Hënë (për herë të parë astronautët amerikanë zbritën në Hënë më 1969), Gregori fluturoi në hapësirë dhe në orbitën rreth Tokës. Ai madje theu rekord duke u sjellë në orbitën rreth Tokës për gjashtëmbëdhjetë ditë. Ai do të kishte shkuar edhe në Hënë sikur të kish marrë urdhër ta bënte një fluturim të tillë. Ne mund të shkojmë edhe në Mars. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë dy robotë që funksionojnë në Mars në këtë moment dhe planifikojnë të dërgojnë në atë planet një astronaut rreth vitit 2020. Emrat e këtyre robotëve, me që ra fjala, janë "Spirit" (Kurajo) dhe "Opportunity" (Mundësi).
Pra, kjo është pyetja për Hoxhën, Shehun dhe për këdo që mendon si ata: A do të kish mundur Gregori të shkonte në Hënë apo të fluturonte në hapësirën kozmike po të kishte lindur në Dardhë?
Kjo pyetje merr përgjigje vetvetiu: Kuraja dhe Mundësia ishin ndër të parat që u pushkatuan, pasi komunistët morën pushtetin në Shqipëri. Kushdo që do të kapej duke shkuar në Hënë do të pushkatohej në kufi.

Kush është Mehmet Shehu

Emri: Mehmet
Mbiemri: Shehu
Datëlindja: 10 janar 1913
Vendlindja: Çorrush, rrethi i Mallakastrës
Arsimimi: Kreu Akademinë e Lartë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik, 1935 nisi studimet e larta në shkollën ushtarake të Napolit, ku më pas u përjashtua për bindjet politike
Gjendja civile: I martuar me 3 fëmijë
Karriera: Në vitet 1937 - 1939 mori pjesë në brigadat vullnetare internacionale kundër fashizmit në Spanjë
Në vitin 1942 u kthye në Shqipëri, ku nisi luftën kundër pushtuesve italianë
Në vitin 1943 u zgjodh kandidat i KQ të PKSH-së
Në gusht të vitit 1943, deri në gusht të vitit 1944 ka qenë komandat i Brigadës I Sulmuese
Në nëntor të vitit 1944 u zgjodh anëtar i Divizionit I S të UNÇ
Maj 1944 u zgjodh anëtar i këshillit ANÇ
Pas çlirimit të vendit ishte zëvendësshef i Shtabit të Ushtrisë Popullore dhe në vitet 1946 - 1947 shef i Shtabit të Përgjithshëm
Në 1948 u zgjodh anëtar i KQ dhe i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së
Nga viti 1948 deri në vitin 1954 ka qenë zv/kryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Punëve të Brendshme
Nga viti 1954 deri sa vdiq kryetar i Këshillit të Ministrave
Më 17 dhjetor 1981 u njoftua se vrau veten, po enigma e kësaj vetëvrasjeje ka mbetur e pasqaruar ende deri në fund.

Rënia e ish-kryeministrit

Mehmet Shehu është kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë. Ai cilësohej si krahu i djathtë i Enver Hoxhës dhe ishte kandidati më i mundshëm që mund ta zëvendësonte atë pas vdekjes së këtij të fundit. Fejesa e djalit të tij, Skënderit, me Silva Turdiun, vajzën e një profesori matematike, por me njerëz të arratisur jashtë vendit dhe të cilësuar si armiq të regjimit, shënoi edhe fundin e Mehmet Shehut. Enver Hoxha e quajti të papranueshme këtë fejesë, dhe menjëherë pas kësaj filluan sulmet ndaj ish-kryeministrit. Megjithëse fejesa u prish dhe Mehmeti i kërkoi falje Enverit, ky i fundit filloi ta sulmojë edhe më shumë. Më 17 dhjetor 1981, Mehmet Shehu gjendet i vdekur në dhomën e tij, i qëlluar me një plumb në zemër. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, vdekja e tij mbetet ende mister, pasi akoma nuk është zbardhur plotësisht e vërteta nëse ish-kryeministri u vra apo u vetëvra.

Shtëpia e Mehmetit në çorrush, e kthyer në stallë bagëtish

Një njeri që niset të vizitojë shtëpinë ku ka lindur Mehmet Shehu, doemos duhet të ketë menduar si ne. Saraje të larta e të mëdha, një lëndinë e madhe përreth, për të mos e tepruar se gjithçka duhet të jetë madhështore.
Por zhgënjimi është i madh sapo vëmë këmbën në shtëpinë ku si sot 93 vjet më parë lindi kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë. Një gomar që futet në portën e madhe dhe një dhi e lidhur me litar mes kavaletave të kashtës, janë shenjat e para që tregojnë se vetëm me një shtëpi banimi nuk kemi të bëjmë. Kështu është vetëm një stallë. Aty strehohet bagëtia e familjes Velaj, e cila jeton në këto saraje, që nga viti 1991.
"Shtëpia është rrënuar shumë dhe ne duam të lëvizim që këtej", tregon 45-vjeçari, Nuri Velaj, duke na treguar dhomat një për një. Flet me konsideratë për Mehmet Shehun, duke theksuar se ai ishte bir Çorrushi. "Mehmeti ka bërë shumë jo vetëm për fshatin tonë Çorrushin, po për të gjithë Shqipërinë", tregon ai me zell, duke kujtuar me nostalgji se këtë shtëpi e vizitonin me mijëra njerëz gjatë kohës kur Mehmet Shehu ishte kryeministër.

Historia e kësaj shtëpie dykatëshe në fshatin Çorrush, është po aq e lavdishme dhe tragjike sa historia e Mehmet Shehut. Deri para natës së 19 dhjetorit të vitit 1981, ajo ishte shtëpia e kryeministrit, e kthyer në muze të Mallakastrës.
Nga viti 1981 ishte shtëpia e armikut, e kthyer në një depo farash luledielli dhe plehrash kimikë për bujqësinë. Ndërsa pas viteve '90, strehë për bagëtinë e familjes që jeton në këtë shtëpi, me frikën se së shpejti gjithë çfarë do të bjerë jashtë do të kullojë brenda.
Por ndërsa brenda është kthyer në stallë, jashtë ruan pothuaj të njëjtën hijeshi me atë të 32 viteve më parë, kur u restaurua për t'u kthyer në muze. "Pjesa e jashtme e shtëpisë, që është si mozaik me gura, është ndërtuar në vitin 1976", tregon Teki Pashaj, mësues i historisë në shkollën e Çorrushit. Ai shpjegon se shtëpia është ringritur edhe njëherë nga e para, pasi gjatë luftës është djegur disa herë.

Tirana Observer, 18 Dhjetor 2006, Tiranë

Kthehu ne fillim

--------------------------------

Botohet i plotë vullneti i fundit i politikanit dhe shkrimtarit Shqiptar

ZBULOHET TESTAMENTI I MIDHAT FRASHËRIT

Shkruan: Dorina TOPOLLAJ

Midhat bej Frashëri, ishte vetëm 49 vjeç në vitin 1929 kur në testamentin e tij ia la gjithë çfarë kishte Shqipërisë. "Në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament...", e nis testamentin e tij shkrimtari dhe politikani, që vdiq në vitin 1949 në mënyrë të menjëhershme nga një atak kardiak. Ndërkohë testamenti ishte depozituar që 20 vjet më parë, në 4 mars të vitit 1929 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Gazeta "Tirana Observer" ka siguruar testamentin e plotë të Midhat Frashërit, shkruar 78 vjet më parë. "Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë", shkruante pinjolli i Frashërllinjve, duke detajuar çdo dëshirë të tij, në dokumentin që do vlerësohej vetëm pas vdekjes së tij.


Testamenti

Në kohën kur Frashëri e shkroi testamentin, ai e kishte deklaruar largimin nga politika. Ishte marsi i vitit 1929, një kohë kur ai merrej me botimin e revistës "Dituria". Në 12 pika të testamentit ai shpjegon të gjitha dëshirat e tij, të cilat kryesisht lidhen me krijimin e "Insitutit të Albanologjisë". "Që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë", shkruan patrioti shqiptar. Në të gjitha pikat e hartuara nga Frashëri, sqarohet krijimi dhe funksionimi i këtij insituti, si dhe menaxhimi i të ardhurave të lëna nga ai. Një nga pikat kryesore të testamentit është edhe biblioteka e tij, e cila sipas të dhënave arrin mbi 40 mijë vëllime. "Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok", shprehet patrioti i njohur.


Amaneti për varrin

Një ndër pikat më personale të Midhat Frashërit dhe e fundit nga renditja në testamentin e tij, është edhe dëshira për t'u varrosur në një cep të kopshtit të "Institutit e Albanologjisë", të cilin ai donte të krijonte me pasurinë e tij. "Do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij", shkruan Frashëri. Edhe pse ai u detyrua të largohej nga Shqipëria pas vendosjes së regjimit komunist, Frashëri nuk e ndryshoi testamentin e tij që ia kishte lënë Shqipërisë.

Testamenti i Midhat Frashërit

Unë, Midhat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament, duke ushqyerë shpëresën se pas vdekjes' s'ime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu:
1) Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.
2) Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
3) Gjithë sa më kanë mbeturë nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzenë t'ime familiare, dëshëronj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë, brënda në INSTITUT.
4) Në paça të holla, në shtëpi, më no një bankë ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuarë me sumën që do mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdorenë të gjitha së bashku.
A) për të bërë spenximet e parë e një godije (shtëpie) e cila të shërbejë si INSTITUT ALBANOLOGJIE, një godi e mjaftë për të nxënë bibliotekënë dhe për zyrratë. Dëshira ime është që kjo shtëpi të jetë mjaft' e gjerë sa për të pasur një ose dy oda ku të mundin të bujtin dhe të rrinë musafirë studimtarët albanologë të huaj që vijnë së jashtmi.
B) Në qoftë se, në vdekjet t'ime, kam mundurë të godit vetë no një shtëpi, INSTITUTI do të installohetë atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më siprë, dotë vihenë në një bankë të sigurtë dhe interesi i tyre, do të përdoretë për qëllimin e INSTITUTIT, sidomos për të shtypurë libra ose për të enkurajuarë botimin e tyre.
5) Librarija ime dëshëronj që të shitet ashtu si është, e tërë bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundurë, të mbanjë emërin që i kam dhënë unë.
6) Libravet të INSTITUTIT t'u vihetë vula ime "Biblioteka Lumo Skëndo 1897" dhe t'u ngjitetë Ex-libris. Vula do të gjendetë në tryezën' t'ime, në shtëpi, e gatijtë, kur se ex-libris është vetëm një skicë bërë prej Hyshref Frashërit.
7) INSTITUTI do të jetë nënë këqyrjen e një Komisioni, bërë prej:
a) Drejtorit të Bibliotekës dhe Muzes' së Shtetit në Tiranë, (Bibliotekë dhe Muze Kombëtare);
b) Kryetarit të Bashkis' së Tiranësë;
c) Një funksionari të Ministris' s'Arsimit
d) Kryetarit të Diktimit Civil;
e) Drejtorit të institutit arsimor shqipëtar më të lartë të Tiranësë.
8) Për të zbatuarë testamentin t'im dhe për të ngrehurit e INSTITUTIT lë si të ngarkkuarë prej meje këta Zotërinj: Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Mehdi Frashëri dhe Edhem Fuad Frashëri. Zotit Niazi Tirana i ap barrënë që të kujdesetë edhe si një notabl i Kryeqytetitë.
9) Në qoftë se një prej këtyre zotërinjve gjendet absent, për një ose tjatrë shkak, në kohët të vdekjes' s'ime, atëherë do të zërë vëndin e tij, ose të tyre, Athanas Shundi, farmacist në Tiranë dhe Hasan Toptani, biri i Kurad Toptanit; me të mos ndodhurë më tepër se dy, ata që gjendenë janë të ngarkuarë të zgjedhin aqë anëtarë sa mungojnë prej numurit që shënonj unë.
10) Ngarkonj prapë Baban e Teqes' së Frashërit, Kryetarin e Bashkis' së Frashërit dhe më plakun nga anëtarët e Bashkis' së Frashërit, të kenë mirësinë dhe të kujdesenë për mbarimin' e dëshirës' s'ime që shtronj në këtë testament, do në fillesë të punësë, do edhe çdo mot duke kërkuarë që të botohen edhe çdo mot, duke kërkuarë që të botohetë veprimi dhe bilançoja e INSTITUTIT.
11) Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshirë ime do të zbatohetë besnikërisht prej pasanikëvet të mij ndë gjithë shekujt që do të vijnë, dhe lutja ime drejtuarë fuqis' së madhe që tani s'e kuptojmë dot, do të jetë të kenë gjithë Shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që Shqiptarizma të bëhetë një dëhsirë dhe një konviktim i thellë, dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është dhe e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i Shqipëtarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.
12) Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.
Me këto dëshira dhe shpëresa po e nënëshkruaj me dorën t'ime këtë testament.

Midhat Frashëri
Lumë Skendo

Këtë testament e kam depozituarë ndë Notarijën' e Gjyqit të Shkallëq' së Parë të Tiranësë, me datë 4 Mars 1929 dhe me numurë 163.

Kopje të këtij testamenti u kam dorëzuarë Zotërinjvet:
Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Edhem Fuad Frashëri si dhe Babajt të Teqesë së Frashërit.

___________________________

Historia e jetës së Mid’hat Frashërit

Kush ishte eruditi i panjohur Lumo Skëndo

Shkruan: Dorina TOPOLLAJ             

Portreti i babait të tij, rilindësit Abdyl Frashëri, varej në muret e shkollave në Shqipëri, ndërsa ai, i biri konsiderohej armik i popullit. Historia e Midhat Frashërit, i njohur më tepër me pseudonimin e tij Lumo Skëndo, është një nga paradokset e shumta të shoqërisë shqiptare gjatë regjimit komunist. I detyruar të largohet nga Shqipëria në vitin 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste, Midhat Frashëri vdiq në 3 tetor të vitit 1949 në Nju Jork të Amerikës. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, veprimtaria dhe jeta e tij u la në harresë të plotë. Kreu i Kongresit të Manastirit, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në vitet '23-'25 në Athinë, e më pas një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, Midhat Frashëri, nuk u bë pjesë e asnjë kurikule shkollore në Shqipëri gjatë regjimit komunist.


Kush ishte Midhat Frashëri

Midhat Frashëri u lind në Janinë, më 25 mars të vitit 1880, dhe vdiq në 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babanë e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Në fund të shekullit të XIX, Mit'hat Frashëri angazhohet edhe në politikën shqiptare. Shumë shpejt ai u bë një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare në mesin e shekullit të XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës "Liria" në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese "Mbrothësia". Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i Alfabetit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit'hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan.


Midhat Frashëri politikan

Në vitin 1912, në Qeverinë e Pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i Botores. Më 30 mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit'hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron: "Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan". Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri, ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, vendos t'i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, më 3 tetor 1949, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.


Veprimtaria letrare

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte "Kalendarin Kombiar", të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901 botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Por Mit'hat Frashëri njihet edhe si një nga njerëzit që kishte një nga biblotekat më të mëdha. Mbas çlirimit të Shqipërisë u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mit'hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet "Bibliofili Lumo Skëndo". Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.

Ka thënë Midhat Frashëri
Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të
jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit,
njësia dhe bashkimi i kombit,
lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.

(Marrë nga "Plagët tona: Ç'na mungon?
Ç'duhet të kemi? Botuar në vitin 1916)

Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

(Marrë nga "Gazetarëve"
botuar në vitin 1926)

Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

Marrë nga "Rilindja shqiptare"
shkruar në 1919

Jeteshkrimi

Emri: Mid'hat
Mbiemri: Frashëri
Datëlindja: 25 mars 1880
Vendlindja: Janinë
Atësia: Abdyl Frashëri
Arsimimi:
Akademia e lartë në Stamboll, Turqi
Aktiviteti:
Më 14-22 nëntor të vitit 1908 zgjidhet kryetar i Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i Alfabetit. Në qeverinë e Ismail Qemalit në vitin 1912 zgjidhet ministër i Punëve Botore. Në vitin 1923 ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Athinë. Në vitin 1941 gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia ai themelon Partinë Balli Kombëtar
.

Tirana Observer, 09 Janar 2007, Tiranë

 

Protagonisti i „mërgatës së qyqeve“

FLET ISUF MULLAI – MANUSH KELMENDI I „MËRGATËS SË QYQEVE”

Isuf Mullai-Manush Kelmendi i "Mërgatës së qyqeve". 1

Në çfarë periudhe ju ka dërguar sigurimi i shtetit jashtë kufijve?. 7

Si është ajo historia e fjalimit të Enver Hoxhës?. 7

A e pranuat detyrën?. 8

Si t'u komunikua detyra.8

Kur u vutë në dijeni se ishit i zgjedhuri i Sigurimit?. 8

Nga të njihte Kadri Hazbiu?. 9

Si ndodhi që u plagosët?. 9

Si Vijoi historia jote e mëtejshme?. 9

Çfarë persekutimi pësove konkretisht?. 9

Ç'ndodhi më pas?. 9

Si i mbaje lidhjet me Sigurimin nga fshati?. 10

Pse u larguat më pas nga fshati juaj?. 10

Si e zhvilluat kursin e sigurimit të fshehtë?. 10

Kur e mbarove kursin e zbulimit?. 11

Kur të ikje, a do të të shoqëronte njeri?. 11

Çfar përjetove kur të erdhi urdhëri i Kadri Hazbiut për arratisje?. 12

Ku e çove familjen ?. 12

Për çfarë festë bëhet fjalë?. 12

A e takuat më gjyshen?. 13

Ku u takuat me personat që do të të përcillnin në kufi?. 13

I njihje më parë personat që kishin ardhur për të të përcjellë?. 13

Çfarë bëtë pasi u takuat?. 13

Po për pasaportën nuk patët frikë se mund ta përdornin në Greqi njerëzit e kundërzbulimit?. 14

Ku e kaluat kufirin?. 14

Në çfarë rruge kaluat pas kësaj?. 14

A kishit frikë?. 14

Deri ku do të vazhdonit të iknit kështu?. 14

Çfarë ndodhi kur të kapën fshatarët grekë?. 15

Po ti në të vërtetë e dije se ku po shkoje?. 15

Sa ishte ora në ato momente?. 15

Ç'të ndodhi në postë?. 15

Ç'mendonit në ato momente. A u frikësuat për ndonjë veprim ekstrem të ushtarakëve të huaj?. 16

Si komunikonit, kur ti nuk e dije greqishten?. 16

Po biletën e makinës që të dha sigurimi nuk e dorëzove?. 17

Ç'do bëhej më tej me ty, nuk të tha gjë?. 17

Të veshën si ushtar grek?. 17

Pse t'i morën rrobat?. 17

I kontrolluan konkretisht rrobat?. 18

Pse të çuan në çadër, po fillonin torturat?. 18

Kur i filluan torturat?. 18

Ku të vendosën në Janinë?. 18

Çfarë torturash provuat?. 18

I përshkruan dot shkurt këto dy tortura?. 19

Si të nxorën nga burgu?. 19

Kur shkove në kampin e refugjatëve?. 20

Çfarë ishte ky kamp dhe pse shkove atje.20

Ju lutem shpjegohuni më qartë. Nuk kishit të drejtë të ishit i lirë pas kaq torturash që hoqët për dy muaj në qelitë e burgjeve greke?  20

Si jetonit në kamp dhe sa ndenjët aty?. 20

Kur kishin shkuar këta shqiptarë?. 20

Si ruheshit?. 20

Ju kishit konstatuar njerëz që ju ndiqnin?. 21

Kishte agjentë të sigurimit nga vendet e tjera mes refugjatëve në kamp?. 21

Si puna Juaj?. 21

Kur u larguat nga kampi?. 21

Je i bindur që vepronte aq fuqishëm kundërzbulimi?. 21

Ku shkuat pas kampit?. 22

Shkuat të organizuar?. 22

Po ju kishit ndonjë udhëzim nga Tirana kur u nisët për në vendin ku duhej të shkonit?. 22

Dhe kur e vendosët fillimisht?. 22

Deri në ato momente nuk dinin gjë se ku ndodheshe dhe çfarë bëhej me ty?. 22

Nëse më lejoni t'ju pyes, si e vendosët lidhjen?. 23

Po letrat që i dërgonit me të vërtetë familjes?. 23

Mund të na thoni disa kode?. 23

Po me gojë nuk komunikonit?. 23

Kush ka qenë ambasador atëherë?. 24

Dihet tashmë se ju keni pasur funksione shumë të rëndësishme në Partinë e Legalitetit. Si i arrite ato?. 24

Me një fjalë, partia e Zogut u vu në kontroll të sigurimit komunist?. 24

Si e konsideronit veten mes tyre për detyrën që kryenit?. 24

Si të ftoi Zogu në shtëpi?. 24

Ju lutem ma shpjegoni hollësisht takimin e parë me Zogun.25

Pse, ku jetonte Zogu atëherë?. 25

Megjithëse e prekëm pak në numrin e kaluar, a kishit emocione?. 25

Ju e kishit parë herë tjetër Zogun, pasi atëherë nuk kishte as televizor?. 25

Pse vetëm 5 nga jugu?. 25

Me çfarë cilësie shkonit te mbreti?. 25

E kujton imtësisht momentin e takimit?. 26

Po ju për çfarë i folët?. 26

U kthyet sërish në Bruksel?. 26

Ku i gjenit lekët?. 26

Pse, rekrutoje njerëz nga partia e Zogut?. 27

E lamë fjalën kur ike nga mbreti.27

Po pas takimit me Zogun, u ktheve sërish në Bruksel?. 27

Sa vjet ndenjët në Bruksel?. 27

Kishte njerëz që ju i respektonit shumë?. 27

Kishte shumë elementë të sigurimit të shtetit në Partinë e Legalitetit?. 28

Po me elementët e këqinj, si veproje?. 28

Pse i konsideron kështu, mos ke ndonjë mllef personal?. 28

Keni pasur suksese në punën tuaj 10-vjeçare?. 28

Keni pasur urdhra për të vrarë njerëz, që ju i keni konsideruar kriminelë?. 28

Keni pasur urdhra për të vrarë njerëz, që ju i keni konsideruar kriminelë?. 28

Kush mund të ishin këta njerëz që ju donit t'i vrisnit?. 29

Leka Zogun e keni njohur atëherë?. 29

Në ç'kuptim?. 29

Mund të sqaroheni më hollësisht për këtë naivitet?. 29

Nga kush, si, dhe pse e mbrojtët?. 29

Po pse e bëtë, a nuk ishit dhe ju, në njëfarë mënyre, armiku i mbretit?. 30

Për familjen tënde në Shqipëri, a kishit dijeni se si jetonte?. 30

Kur u nise?. 30

I kishit kërkuar Tiranës që të ktheheshit?. 30

Po për ikjen?. 31

Kishit frikë?. 31

Çfarë argumentesh?. 31

Nga ishe dekonspiruar?. 31

Po pse ikët?. 31

Si të njoftuan?. 32

Si vepruat?. 32

Kishit shkuar ndonjëherë në ambasadë?. 32

Nuk kishit frikë?. 32

Pse?. 33

Si e shpjegoi vonesën ambasadori ynë?. 33

Pastaj u nise për në Rinas?. 33

Si u prezantuat në atdheun tuaj, që dikur kishit ikur si i arratisur?. 33

Pse, nuk ishte njoftuar familja për të të pritur?. 33

Pse, funksiononte rregulli për rastin tënd?. 34

Që të mos e ndërpresim subjektin në mes, çfarë ndodhi në Rinas?. 34

Po në Bruksel, si e morën vesh që kishe ikur?. 34

E kishit kompromentuar?. 35

Si vazhdoi puna e tij pas ikjes tënde?. 35

Dhe çfarë bënë?. 35

Kjo do të thotë se partia e Mbretit është drejtuar gjithmonë nga Enver Hoxha?. 35

Pasi ju erdhët në Tiranë, si vijuan procedurat konkrete?. 35

Sa ndenjët në ilegalitet në Tiranë?. 36

Këto të drejta të ishin ndaluar me urdhër?. 36

Ju ndodhi që të dilnit në Tiranë gjatë asaj kohe?. 36

Po oficeri që të kishin vënë për roje, si të lejoi?. 36

Po oficerit, që të ruante ty, çfarë i bëri?. 36

Sa vazhdoi kjo situatë ilegale?. 37

Pse, mund të bëhej një gjë e tillë?. 37

Po çfarë ndodhi në të vërtetë?. 37

Po ju, çfarë qëndrimi mbajtët?. 37

Pse, dhe sot jeni i bindur që keni vepruar drejt?. 37

Pas legalizimit, si vazhdoi historia?. 38

Kur u nisët për në Sarandë?. 38

Pse dy makina?. 38

Familja vazhdonte të mos dinte gjë?. 38

Kur arritët në Sarandë?. 38

Pse fëmijët e tjerë, ku i ishin?. 39

Ku shkuat në Vergo?. 39

A erdhën fëmijtë?. 40

Njerëzit e lajmëruar po të prisnin?. 40

Po gruan, ku e takuat?. 41

Po më pas?. 41

Po ju çfarë bënit?. 41

Kur u larguan autoritetet, që të shoqëruan?. 41

Kur e filluat punën?. 41

Po pasi dole në pension dhe pas viteve '90, kur shumë nga ata, që i kishe pasur objekt të punës tënde në Bruksel erdhën në Shqipëri, ke pasur probleme kërcënimi?. 42

Zoti Isuf.Në intervistën e mëparshme kujtuat se pas vitit 1990, kur në Shqipëri u lejua lëvizja e lirë për emigrantët, keni pasur probleme kërcënimi me legalistët që kanë qenë objekti i punës suaj në shërbim të sigurimit në Bruksel. Mund të shpjegoheni më qartë se si ka ndodhur?. 42

Ku e ke gjetur këtë qetësi?. 42

E keni fjalën për të gjithë legalistët?. 42

Po për Leka Zogun e keni këtë mendim?. 42

Ju lutem shprehuni më qartë?. 43

Po për rastin e kërcënimit?. 43

Ju e njihnit kamarieren?. 43

Nuk e kuptuat se kush kishte qenë?. 43

Si erdhën te ju?. 44

Çfarë bëtë pas kësaj?. 44

Patët frikë?. 44

Nuk i kërkuat njeriu ndihmë për të mos qenë i vetëm?. 44

Shkuat në orën e caktuar?. 44

Nga Fatos VELIU

Isuf Mullai është një nga agjentët më të famshëm që ka pasur sigurimi i shtetit komunist. Me veprimet e tij tepër të zgjuara ka arritur që në mënyrën më spektakolare të bëhet njeriu më i besuar i Ahmmet Zogut. Për 10 vjet me radhë ai arriti të shtijë në dorë të gjithë dokumentacionin sekret të Partisë së Legalitetit, funksionar i lartë i të cilës u bë dhe vetë. Është pikërisht personazhi i Manush Kelmendit te romani i shumënjohur "Mërgata e Qyqeve", i shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Saktësisht më 24 prill Isufi mbushi plot 8o vjeç. Sot ai pranon të flasë ekskluzivisht për gazetën "Ballkan", në lidhje me shumë ngjarje të panjohura dhe të pabotuara deri më sot të cilat lidhen me jetën e tij të vështirë në emigrim kur kryente detyrën e ngarkuar. Si u përzgjodh nga Kadri Hazbiu të kryente misionin e veçantë për t'u dërguar si agjent në radhët e partisë së Ahmet Zogut. Çfarë pasojash pati kur filloi persekutimi i vërtetë. Përgatitja e kushteve për t'u arratisur dhe kursi special që zhvillonte gjatë netëve për t'u profesionuar si zbulues.

Enver Hoxha e Kadri Hazbiu

_________________________

Jeta e tij 10 vjeçare në emigrim.Peripecitë dhe torturat që u detyrua të kalonte për tu bërë i besuar se ishte arratisur vërtet nga Shqipëria. Besimi që krijoi te Ahmet Zogu dhe detyrat e larta që mori në partinë e tij në mërgim.si rivendosi lidhjet me Tiranën dhe kodet me të cilët merrej vesh me Kadri Hazbiun.

Në çfarë periudhe ju ka dërguar sigurimi i shtetit jashtë kufijve?

Saktësisht kur ika, ka qenë data 6 Gusht i vitit 1955 dhe u ktheva në 8 Dhjetor 1964, pra afërsisht 10 vjet.

Si është ajo historia e fjalimit të Enver Hoxhës?

Nuk e harroj atë moment që isha kthyer nga Jugosllavia, ku kisha studiuar për dy vjet në shkollën e lartë të marinës ushtarake. Ishte viti 1945. Më caktuan si oficer në repartin e marinës së Durrësit. Në një prej atyre ditëve, si shkuam në Durrës, të gjithë ne oficerët e rinj të ardhur nga jashtë, madje kur akoma nuk kishim filluar as punën, na njoftojnë se Enver Hoxha do të bënte një takim jo vetëm me kuadrot kryesorë, por edhe me banorë të thjeshtë të qytetit. Shkuam dhe ne të gjithë. Ishim të entuziazmuar ashtu siç ishin të gjithë atëherë, aq më shumë neve që veç moshës së re kishim dhe një arsye më shumë, se e fillonim punën jo si punëtorë, por si oficera. Tubimi ishte më shumë se madhështor, gjë që na jepte më shumë kurajo dhe optimizëm për të ardhmen. Fjalimi i Enverit u mbështet kryesisht në slloganin e njohur për mbrojtjen e fitoreve të arritura. Këtë e theksoi aq shumë, saqë kuptova se kishte ardhur të jepte vetëm atë mesazh, në ndëshkimin e fajtorëve të popullit që atëhere ishin cilësuar "armiq". Kuptohej, fjalën e kishte te njerëzit e shpallur kuislingë dhe tek ata që quheshin klasa të përmbysura, por që kishin bërë krime, pra kishin ikur që t'i shpëtonin ndëshkimit komunist. Aty për aty mbaj mend që ai, mes një revoltimi të papritur, ngriti zërin me sa fuqi kishte dhe tha: "Mos të kujtojnë armiqtë e popullit se kaluan kufirin dhe na e hodhën. Të gjithë ata që kanë larë duart dhe e kanë bërë hak, nuk do të mund të shpëtojnë dot. Një gjë ta kenë të qartë, se do të na kenë mbrapa për tërë jetën, kudo që të shkojnë në të katër anët e botës." Gjithsesi unë me atë naivitetin tim të karakterizuar nga mosha dhe duke mos i ditur mirë punët e shtetit, ndërsa isha duke ikur për në dhomën ku rrija, po mendoja për thëniet e mësipërme të Enverit. I analizoja me vete. "Do të na kenë mbrapa", e si do të na kenë? Ata çanë ferrën dhe kaluan kufirin e s'dihet nga e kanë lënë vrapin, e aq më shumë se ku hanë e pinë. Si mund t'i gjenim neve!? Kështu që nuk më mbushej mendja për asgjë. Mendoja se ishte thjesht një paradoks apo një truk propagandistik i tij. Por më vonë, jo shumë larg në kohë nga ai moment, kur mua ashtu si dhe shumë shokë të tjerë, na thirrën për të na dhënë detyrën e veçantë që t'i shërbenim sigurimit të shtetit, duke shkuar jashtë tij, u kujtova për fjalimin që ishte mbajtur.

A e pranuat detyrën?

Si të mos e pranonim? Madje ishim shumë të bindur dhe të ndërgjegjshëm. Ju e analizoni me kohën dhe mentalitetin e tanishëm, ku duket si fyerje që të kesh shërbyer në sigurimin e shtetit, kjo për faktin se ai ka marrë tashmë mbi kurriz dhe rrisqe që nuk i takojnë. Po ta analizosh me kohën që ishte atëherë, kjo konsiderohej një nder dhe vlerësim që të bëhej, pasi ishte mënyra më e mirë për t'i shërbyer popullit tënd .

Si t'u komunikua detyra.

Më thirri vetë Koloneli i sigurimit Kadri Hazbiu. Më foli shkurt dhe pa demagogji të tepërt. "Partia dhe populli të beson një nga detyrat e veta më të vështira. Në emigrim së bashku me shumë njerëz të ndershëm që kanë ikur nga frika e ndonjë përsekutimi të mundshëm nga pushteti komunist, kanë ikur edhe shumë njerëz që kanë bashkëpunuar hapur me pushtuesin, madje dhe kanë vrarë njerëz. Ata nuk kanë pushuar së vepruari. Kërkojnë të marrin sërish pushtetin me çdo mënyrë dhe formë, cilado të jetë kostoja e kësaj. Këtë do ta bëjnë ashtu siç e kanë bërë me grupe diversioniste, ku viktimat e tyre janë shumë njerëz të pafajshëm, si fshatarë, kooperativistë, punëtorë etj. Ti ke për detyrë që këta t'i neutralizosh dhe t'i bësh të padëmshëm, ashtu siç ke edhe detyrën tjetër që të pafajshmit t'i bindësh se nuk do t'u ndodhë gjë, por të kërkojnë riatdhesim dhe të vijnë pranë familjeve.

Kur u vutë në dijeni se ishit i zgjedhuri i Sigurimit?

U kuptua thjesht fare. Siç thashë në fillim, në vitin 1948 ishim kthyer nga shkolla ushtarake e marinës në Jugoslllavi. Në momentin që kishim filluar punën, na vjen vetë Kadri Hazbiu për të na graduar. Kështu ishte rregulli për oficerët që fillonin punë, gradat i akordoheshin më pas dhe vendoseshin me ceremoni. Ndërsa lexoheshin emrat dhe gradat, vura re se emri im nuk u zu në gojë fare. Kjo do të thoshte se ishte ndonjë ndëshkim. Pra, të mbeteshe pa graduar nuk ishte gjë e lehtë. Ajo konsiderohej goditje politike. Për këtë do të fillonte natyrshëm distancimi që do të bënin dhe shokët e tu, për faktin se partia diçka i kishte zbuluar. Takoj menjëherë Kadri Hazbiun dhe i them: "Shoku Kadri nuk e di pse nuk më keni graduar edhe mua! Unë njëlloj si shokët kam mbaruar dhe rezultatet i kam nxjerrë shumë të mira. Nuk e di çfarë keni pasur parasysh, por unë nuk kam bërë ndonjë gabim." Ndërsa flisja, frymëmarrja më shpeshtohej nga shqetësimi i tepërt, pasi nuk dija përgjigjen.

Kadri Hazbiu ishte shumë i qetë. Jo vetëm kaq, por kuptova saktësisht se ai e priste ndërhyrjen time, kështu që ishte i përgatitur dhe për përgjigjen. "Dëgjo këtu Isuf Mullai. Partia ka parasysh shumë gjëra, kështu që dhe ty të njeh mirë, dhe nuk është fjala se është e pakënaqur nga ty apo nga familja jote, por për ty jemi përgatitur të bëjmë punë të mëdha. Hajde, mos e vra mendjen se i kemi menduar të gjitha, mos u bëj merak." Ai më shkarkoi nga tensioni i parë që kisha dhe më la të kuptoja se do të më ngarkonin në një detyrë me shumë rëndësi.

Nga të njihte Kadri Hazbiu?

Që ta dish ti, unë që në kohë të luftës isha marrë me shërbimin e fshehtë. Në vitit 1942, kur isha shkuar në luftë, më dërgonin nga shtabi partizan të merrja informata për armikun apo për spiunë të ndryshëm, madje dhe jam plagosur me dy plumba, një në këmbë dhe një në fytyrë. Kështu që Kadri Hazbiu e kishte lexuar dosjen time dhe kishte mësuar për aftësitë fizike dhe intelektuale.

Si ndodhi që u plagosët?

Ishte viti 1944. Ka qenë operacioni i Qershorit. Unë me një shok u ngarkova që të shkoja deri në kufi me Greqinë dhe po të ishte nevoja të dilja edhe matanë tij, siç kisha bërë dhjetëra herë të tjera që kisha shkuar deri në Janinë. Detyra ishte të merrja informata dhe të vrojtoja sasinë e ushtrisë naziste që kishte marrë drejtimin për të hyrë në Shqipëri. Kjo bëhej me qëllim që forcat partizane të merrnin masa për t'i pritur me armë. Pikërisht në afërsi të fshatit Selcë të Gjirokastrës (afër Jorgucatit) u ndesha me një formacion gjermanësh dhe shkëmbyem zjarr. Aty u plagosa me dy plumba. Ja, plumbi i parë ka hyrë këtu nën mjekër dhe ka dalë te hunda, ndërsa tjetri ka hyrë këtu në këmbë.

Si Vijoi historia jote e mëtejshme?

Sipas rregullave fikse dhe profesionalizmit të sigurimit të shtetit u vendos që unë të persekutohesha. Për këtë nuk do të më bënin asnjë përjashtim nga ata që ishin quajtur armiq të popullit. Arsyeja ishte që kur të shkoja jashtë shtetit me shërbim, ku do të paraqitesha si i arratisur dhe i pakënaqur nga pushteti komunist, të besohesha pasi dhe ata kishin informatorë të këtushëm që do të verifikonin ashtu siç verifikuan gjithçka. Pra unë, me një fjalë, duhej të persekutohesha në atë mënyrë që të bëhesha i pakënaqur vërtet. Një faktor tjetër për besueshmërinë time që mund të isha kundër pushtetit të ri, ishte se unë kam pasur babain, Tefik Mullain, oficer në kohën e Zogut, madje me gradën "Major".

Çfarë persekutimi pësove konkretisht?

Që në fillim, siç thashë, nuk m'u dha grada. Ky ishte persekutimi i parë, dhe menjëherë u hap fjala se Partia nuk kishte besim tek unë, çka do të thoshte se isha njeri i dyshimtë. Pas kësaj vetvetiu u krijua distancimi i padurueshëm nga të gjithë, madje dhe nga shokët e ngushtë. Ishe i detyruar të përjetoje poshtërimin dhe mungesën e besimit që shfaqej hapur në çdo ambient. Pas tre-katër muajsh erdhi goditja e dytë. U përjashhtova nga Partia. Në atë kohë do të thoshte pushkatim politik. Përjashtimi nga Partia u dha shkas të gjithëve të më përçmonin më hapur madje të më fyenin dhe pa takt fare. Kjo do të vazhdonte jo pak por dy vjet. Pas saj erdhi ajo që për mua pritej dhe që nga të tjerët do të konsiderohej goditja vendimtare. U përjashtova nga ushtria fare dhe u dha ultimatumi: Të bëjë si të dojë dhe të jetojë ku të dojë. Partia dhe populli nuk kanë besim tek ai. Atëherë, mbaj mend, ishte prilli i vitit 1951. S'kishe çfarë bëje duhej krijuar imazhi se isha njeri i keq për shtetin dhe Partinë. Dhe më mbrapa të besohej se kisha arsye që isha bërë i pakënaqur.

Ç'ndodhi më pas?

Shkova në fshatin tim në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës. Aty kishte mesele të tjera. Shumë fshatarë kur panë që unë isha futur në rreth nga Partia si një njeri i dyshimtë, nuk më takonin fare, por më largoheshin si të kisha zgjebe. Por kishte dhe nga ata që nuk donin t'ia dinin dhe më takonin si në fillim. Gjithsesi familja ime dhe unë po e krijonim imazhin e familjes që përndiqej dhe po bëheshim të pakënaqur. Aty jetoja vetëm duke dëgjuar njërin apo tjetrin, që të takonte fshehur apo të fyente në sy të të tjerëve, duke të quajtur harrëmsëz, i poshtër, apo dhe maskara që ia kisha pasur me hile Partisë dhe popullit, gjë që nuk ishte e lehtë për mua.

Si i mbaje lidhjet me Sigurimin nga fshati?

Në fshat më vinin njerëzit e sigurimit dhe më sillnin rrogën.Vinte një oficer i Ministrisë së Brendshme dhe më takonte jo më shumë se një orë. Duhet të kesh parasysh se njerëzit që shkonin në fshat të përzënë nga Partia, mbaheshin në mbikëqyrje nga njerëz të shtetit që s'kishin idenë se çfarë loje po bëja unë. Kështu që ata më mbanin nën trysninë e vëzhgimit. Në këtë rast dhe njeriu i sigurimit që vinte nuk kishte të drejtë të takonte asnjë, por në mënyrën më të fshehtë të shkëmbente informacionet me mua dhe si më dorëzonte rrogën, më jepte udhëzimet e radhës.

Pse u larguat më pas nga fshati juaj?

Në fshat, me gjithë durimin dhe gjakftohtësinë që tregoja për të përballuar të gjitha situatat ashtu siç kisha udhëzimet, u rrezikova që të dekonspirohesha për misionin që po gatisja të kryeja. Kështu që në një situatë të tillë u detyrova të kërkoja që të largohesha dhe ashtu u bë. Kjo bëhej me kërkesë, se çdo lëvizje e imja do të bëhej me udhëzim nga lart, që miratohej direkt nga Kadri Hazbiu. Kështu që u pa e drejtë kërkesa ime e bërë më lart dhe vonoi për t'u miratuar.

Ishte janari i vitit 1952, kur u njoftova se isha caktuar të punoja në shërbimin sinoptik të Gjirokastrës me detyrën "vrojtues i motit". Aty do të bëja pikërisht hapin e fundit, para se të merrja urdhrin për t'u arratisur, kursin e shërbimit të fshehtë.

Si e zhvilluat kursin e sigurimit të fshehtë?

Askush nuk mund ta merrte me mend se pikërisht në atë zyrë të ndodhur poshtë lagjes së 18 shtatorit në Gjirokastër, unë që njihesha sikur matja milimetrat e shiut dhe drejtimin e erës, gjatë gjithë natës bëja kurs të shërbimmit të fshehtë shtetëror. Për këtë, si mbaronte aktiviteti i zhurmshëm i ditës, në darkë vinin direkt nga Tirana me një xhip sovjetik dy kolonelë të Ministrisë së Brendshme, njërin prej të cilëve e mbaj mend që quhej Asaf Kondi. Për orë të tëra të natës dhe pothuajse çdo natë, mësoja shumë rregulla dhe sekrete të shërbimit të fshehtë. Mësoja si ishte bota jashtë, që të mos isha i paditur se si funksiononte kapitalizmi. Mësoja konkretisht për jetën e atjeshme, rregullat, ligjet, qytetet, rrugët, istitucionet, pikat turistike dhe shumë gjëra të veçanta. Ndërsa në lidhje me shërbimin që do të kryeja, po më mësonin që nga momenti që do të arratisesha, rruga që do të kaloja dhe ku do të arrija. Punoja me harta dhe me orientime praktike. Mund t'ju them se sigurimi i shtetit atëherë ka pasur një informacion të jashtëzakonshëm për çdo veprim të zyrtarëve të përtej kufirit. Kështu më mësonin deri dhe se si do të vepronin ata me mua. Kush do të më takonte, çfarë pyetjesh do të më bënte, çfarë torturash do të isha i detyruar të përballoja, si dhe kush do të m'i bënte dhe sa kohë do të zgjaste. Kush do të më merrte në pyetje në zyrë, si dhe çfarë pyetjesh do të më bëheshin. Çfarë tipi ishte ky apo ai. Unë duhej që dhe në ëndërr t'i thoja të njëjtat përgjigje për çdo pyetje që më bëhej nga njerëzit e sigurimit që imitonin zyrtarët grekë. Në kurs më mësonin se si do të më provokonin jo një herë e dy, por me dhjetëra e dhjetëra herë, madje dhe me vite që të konstatonin qoftë dhe njëherë që unë të shmangesha nga ç'kisha deklaruar më parë për këtë apo atë përgjigje dhe të dilej në konkluzion se unë isha dërguar nga sigurimi shqiptar.

 

Isuf Mullai sot mbush plot 80 vjeç. Ai është konkretisht personazhi real i Manush Kelmendit te romani, tashmë i shumënjohur, “Mërgata e Qyqeve”, i shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Ka qenë një nga agjentët më të sprovuar të sigurimit të shtetit, i cili ka shërbyer në emigrim. Për 10 vjet në Bruksel arriti të bëhej një nga njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut dhe familjes së tij. Me aftësit e tij prej zbuluesi, arriti jo vetëm të futet fuqishëm në radhët e Partisë së Legalitetit, por të marrë edhe poste të rëndësishme në të. Sot ai rrëfen për ato momente, kur ka kryer misionin e tij të vështirë. Nga numri i parë lexuat: Si u thirr ai nga Kadri Hazbiu për t’u ngarkuar me detyrën speciale. Çfarë persekutimesh përjetoi familja për t’u bërë e besueshme alibia e arratisjes. Situata e tij dhe e familjes në periudhën para se të nisej me shërbim jashtë shtetit. Kursi special që zhvilloi në interes të detyrës dhe si i erdhi urdhri i Kadri Hazbiut për t’u arratisur. Pse shkoi në fshat dhe çfarë i tha familjes kur u largua. Takimi misterioz i tij në Gjirokastër me oficerët e Ministrisë së Brendshme. Çfarë i ndodhi kur kaloi kufirin. Si kaloi në mesnatë në tokën greke. Momentet e rënies në duart e ushtarëve të zbulimit grek. Torturat që u detyrua të provonte, deri te humbja e dëgjimit nga elektroshoku. Gjarpërinjtë e lëshuar në qeli dhe si ndenji i mbështjellë nga ata për dy ditë. Ndërsa sot ai tregon për situatën që kaloi në kampin e emigrantëve në Athinë. Jeta e tij mes zbuluesve të disa vendeve. Si kaloi dhe provën e fundit në kamp për të marrë viston e udhëtimit të tij në Belgjikë. Hyrja në partinë e mbretit dhe funksionet që mori në të. Si i vendosi lidhjet me sigurimin shqiptar. Kodet dhe mënyrat e ndërlidhjes me Tiranën. Si e ftoi Ahmet Zogu në shtëpi. Këto dhe shumë detaje të tjera do t’i lexoni në intervistën e mëposhtme, të vetë Isuf Mullait dhënë ekskluzivisht për gazetën "Ballkan".

Kur e mbarove kursin e zbulimit?

Kursi për instruktimin tim vazhdoi jo pak por plot dy vjet. Pra, siç theksova dhe në fillim të kësaj bisede, dy kolonelët e Ministrisë së Brendshme vinin rregullisht nga Tirana me një xhip sovjetik dhe gjatë natës unë vazhdoja të instruktohesha, ndërsa gjatë ditës prezantohesha si punonjës i shërbimit sinoptik. Kjo vazhdoi deri në korrik të vitit 1955, kur unë kisha parasysh gjithçka. Dija se nga do të kaloja, ku do të shkoja, kush do më kapte etj. Çfarë do të më thonin dhe çfarë do t'u thosha. Kush do më fliste dhe për çfarë, pa bërë më fjalë për kodet dhe shifrat e ndërlidhjes e të përballimit të situatave të vështira. S'po e zgjas, kursi me një fjalë u quajt i përfunduar. Tashmë kishte ardhur momenti për të ikur. Nga ai çast do të fillohej të luhej ajo që ishte më e madhja dhe më e rrezikshmja, loja e vërtetë. Arsye kisha ta justifikoja se me ato që më kishin bërë pushtetarët e rinj komunistë, nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër përveç arratisjes. Prisja vetëm urdhrin për këtë gjë.

Kur të ikje, a do të të shoqëronte njeri?

Deri në kufi po. Do të caktonin njerëz nga Tirana sa të më kalonin te telat e kufirit, pastaj do të më thoshin mirupafshim, shpëtofsh gjallë dhe u bëfsh i vlefshëm. Në momentin e parë që do të kesh mundësi, krijo ndërlidhje menjëherë. Por nga çasti i kalimit të kufirit si dezertor i shtetit, derisa të të jepej mundësia të hyje në lidhje, mund të kalonin jo muaj, por vite. Kjo punë nuk kishte garanci, qe tafti-bafti derisa të krijoje besim që ishe i arratisur vërtet dhe kjo nuk ishte ndonjë lojë e sigurimit që ata ia kishin shumë frikën.

Çfar përjetove kur të erdhi urdhëri i Kadri Hazbiut për arratisje?

Në fund të gushtit më erdhi dhe urdhri i shumëpritur, do të nisesha natën e 6 gushtit. Sa mora njoftimin për t'u nisur në mision, sikur u përmenda nga një gjumë i papritur. Kisha disa vjet që po punoja për atë ditë, ku kisha kryer një specializim të veçantë si zbulues, madje as gruaja nuk dinte gjë. Jo vetëm kaq, por ajo nuk dinte as pse u përjashtova katër vjet më parë nga partia dhe nga ushtria. Askush nga njerëzit, si bashkëfshatarët tanë apo ata që na njihnin dhe që na luftonin si të deklasuar, as nuk mund ta merrnin me mend që gjithçka ishte një lojë. Por ja që erdhi momenti dhe do të më duhej të lija vetëm, në mes të katër rrugëve, gruan time 26-vjeçare, Reson, që atëherë ishte dhe shtatzënë, dhe dy fëmijët e vegjël, vajzën, Nëzaqetin, që ishte veç 4 vjeçe dhe djalin 3-vjeçar, Kujtimin. Shkova në shtëpi dhe s'ngopesha së pari gruan dhe fëmijët. Ata vinin më përqafonin dhe më puthnin duke më thënë herë pas here, "Babi". Thosha me vete: "e ç'thoni babi, babi. Po ta dini ju që babin nuk do ta kini më pas një jave, nuk e di çfarë do të më thonit." Nuk dihej nëse do të shpëtoja i gjallë apo jo, në do të kthehesha apo do t'i lija fëmijët jetimë. Në një moment m'u mbushën sytë me lotë dhe ika në dhomën tjetër për të qarë. Ç'faj kishin fëmijët dhe gruaja ime e mrekullueshme, që është treguar e fortë dhe ka vuajtur shumë për shkakun tim. Kur mendoja që atyre do t'u duhej të përballonin persekutimin politik, ashtu si gjithë të tjerët pa as më të voglin përjashtim, më mblidhej një lëmsh në fyt dhe nuk më shqitej. Gjithsesi erdhi një moment dhe unë e mblodha veten, duke menduar që populli dhe atdheu im kishin nevojë për mua.

Ku e çove familjen ?

Ç'të zgjatem kot, sipas udhëzimeve do të më duhej të çoja gruan dhe dy fëmijët e vegjël në fshat, që t'i lija aty para se të ikja. Sepse në fshatin tim, në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, kisha babain, Tefik Mullai, gjyshen, dy motrat, Zerhaja dhe Ezmaja, si dhe tre vëllezërit, Avniu, Demiri dhe Telini të cilët varionin nga mosha 20 vjeç deri në 10 vjeç. Nënën s'e kisha. Kështu bëra më 3 gusht (1955) me gruan dhe dy fëmijët, arrita në shtëpinë e plakut. Do t'i takoja, të çmallesha mirë për tre ditë dhe pastaj do të ikja. Gjyshja sikur parandjente diçka, se nuk po çmallej dot. Ndenja në fshat deri në datën 6 gusht. Pastaj u çova të ikja që në mëngjes. Mbasdite do të takohesha me të dërguarit e Ministrisë së Brendshme, të cilët do të bënin përcjelljen time. Në shtëpi u thashë të gjithëve se do të shkoja në Gjirokastër, pasi më duhej të dilja njëherë nga puna. Nesër do të takoheshim në festë me të gjithë.

Për çfarë festë bëhet fjalë?

Në datën 7 gusht të çdo viti, në zonën e Kardhiqit në Gjirokastër, bëhej festimi i krijimit të batalionit partizan "Asim Zeneli". Ajo u kthye si një festë e madhe popullore dhe për të u krijua një traditë e shkëlqyer. Kështu, i binte që të nesërmen e asaj dite e gjithë krahina të shkonte në festë, dhe unë lashë takimin me gruan, babain, motrat dhe vëllezërit. Gjyshja, kur u ndamë, nuk e di nëse e shpjegova dhe më lart, kishte një parandjenjë të çuditshme që nuk do të takoheshim më bashkë dhe qau, siç ndodhi në të vërtetë që nuk u takuam. Ajo më përcolli deri jashtë, ndërsa thoshte me lutje: "Të keqen nëna o bir, pas festës hajde prapë në shtëpi se nuk jam çmallur fare. Nuk e di ç'kam kështu", dhe ia dha të qarit duke më përqafuar. Unë s'dija ku ta kisha mendjen para. Mendoja që po i lija të gjithë; gjyshen, babain, gruan dhe fëmijët. Ishin shumë momente të dhimshme për mua. Të nesërmen, kur ata do të më prisnin në vendin ku bëhej festa që të kthehesha nga Gjirokastra, unë do të isha matanë kufirit.

A e takuat më gjyshen?

Jo. Ai ishte takimi im i fundit. Ajo nga meraku për mua dhe nga malli i madh nuk arriti të jetonte gjatë. Vdiq vetëm katër muaj para se të kthehesha nga misioni. Madje dhe kur jepte shpirt, siç më thanë, mbante fotografinë time te koka e krevatit dhe herë pas here thërriste "Bir".

Ku u takuat me personat që do të të përcillnin në kufi?

Që në orën 06.00 të mëngjesit të datës 6 u nisa për në Gjirokastër. Siç thashë më lart, nuk përshkruhet dhimja që ndjeja për familjen. Shkova në Gjirokastër dhe si u përgatita, vajta në bazën e urdhëruar. Ajo ishte një shtëpi sekrete në lagjen "Palorto". Aty pas disa orësh erdhën dhe ata që duhej të më përcillnin dhe të më udhëzonin për të fundit herë. Njëri ishte Koloneli Asaf Kondi, që më kishte bërë dhe kursin e zbulimit. Kishte ardhur gjithashtu shefi i zbulimit të kufirit të republikës, që ishte me gradën Kolonel. Mbaj mend që emrin e kishte LLazi dhe se ishte nga Korça. Ndërkohë kishin marrë dhe një person nga Dropulli, i cili quhej Vasil Nasto, që njihte mirë rrugën e kalimit të kufirit.

I njihje më parë personat që kishin ardhur për të të përcjellë?

Vetëm Kolonel Asaf Kondin që më kishte bërë kursin. Të tjerët i njoha aty.

Çfarë bëtë pasi u takuat?

Vazhduam me porositë e fundit dhe prisnim orën që të niseshim për në kufi. U përsërit skenari i njohur se për çfarë do të deponoja, pasi të kapesha në tokën greke. Unë do të thosha se isha nisur mbasditen e datës 6 gusht nga Delvina, me një makinë transporti për në Gjirokastër. Qëllimin e kisha pasur që të arratisesha patjetër, se nuk mund të duroja dot më persekutimin që po më behej nga shteti. Për të mos u kuptuar se çfarë qëllimi kisha aty, në një fshat të Dropullit i thashë shoferit të ndalonte, pasi isha kujtuar në moment për një punë aty. Pastaj kisha pritur natën dhe kisha marrë guximin për t'iu afruar kufirit dhe ashtu kuturu kisha mundur që ta kaloja. Që të bëhej e besueshme kjo alibi, shokët e ministrisë më dhanë dhe një biletë të prerë në Delvinë, të cilën, sipas udhëzimeve, e futa në xhepin e vogël të pantallonave. Fjala ishte që bileta të zbulohej pa dashur nga ata që do të më kontrollonin, pasi unë nuk dija fare se e paskësha futur në xhep. Kjo alibi do të bëhej moto për mua. Që nuk duhej ta harroja as në gjumë, sikur të shmangesha nga dëshmia e parë, do të thoshte vdekje për mua, pasi zbulohej loja.

Pritëm mesnatën. Ishte aty nga ora 24.00, kur te porta e shtëpisë që rrinim u afrua një makinë tip xhip sovjetik. Pas kësaj hipëm në xhip një nga një, i cili në pak çaste mori rrugën e Dropullit. Aty ku do të bëhej kalimi im, ishte përcaktuar që më parë. Për këtë oficeri i zbulimit të ministrisë kishte shkuar disa herë për inspektim ditën dhe kishin përcaktuar tamam pikën ku do të nënkaloja telat. Ushtarët e kufirit në atë orë kishin marrë një situatë tjetër, për t'u tërhequr nga zona e operacionit. Kështu që ne rrugën e kishim të lirë. Me vete, veç biletës që e kisha futur në xhepin e vogël, kisha marrë dhe fotografitë e kalamajve dhe letërnjoftimin tim. Të gjitha këto i kisha marrë sipas udhëzimeve të dhëna.

Po për pasaportën nuk patët frikë se mund ta përdornin në Greqi njerëzit e kundërzbulimit?

Është e vërtetë se mund të ndodhte diçka e tillë. Por atëherë kishte një specifikë të veçantë me pasaportat, se pikërisht pas dhjetë ditësh nga momenti që unë do kaloja kufirin në shqipëri, do të dilnin nga qarkullimi pasaportat ekzistuese. Kështu që nuk mund ta përdorte më kush për të ardhur nga Greqia.

Ku e kaluat kufirin?

Isha pra në makinën e ministrisë me gjithë miqtë që më përcillnin. Aty nga ora 01.00 u ndalëm në postën e Radarit, e cila ndodhet në afërsi të fshatit të Kakavijës, rreth tre km larg kufirit. Pastaj të gjithë të heshtur morëm rrugën e vendit ku do të kaloja. Para printe Vasil Nashua (shoku nga Dropulli), që e dinte si në pëllëmbë të dorës çdo skutë dhe rrëzë. Pas tij vinte Koloneli i zbulimit, pastaj unë me Asaf Kondin. Aty rreth orës 02.35 minuta u gjendëm te shtegu, ku do të kaloja nën tela. U takova me të gjithë me një mall të madh, sikur të kishim vite që njiheshim dhe jo sikur të kisha vetëm pak orë (me disa). Mbaj mend që Vasili mori një shkop që e kishte lënë gati që një ditë më parë dhe e futi poshtë telave dhe i çoi lart. Në ato çaste unë kalova matanë. U ktheva dhe një herë nga shokët e këtej kufirit dhe ua bëra me dorë në formë përshëndetëse, dhe u nisa me vrap në rrugën e udhëzuar. Mbaj mend që ashtu si në pëshpërimë shokët më thanë: "Të vaftë mbarë".

Në çfarë rruge kaluat pas kësaj?

U futa në një pyll dhe ecja kuturu. Ishte mesnatë dhe nuk dija ku do të arrija deri në mëngjes. Vetëm ecja dhe ecja. Gërvishesha dhe shqyhesha nga ferrat dhe drurët, se që thua ti, aty ishte dhe një pyll i dendur.

A kishit frikë?

Sigurisht. Ishte errësirë e plotë dhe kisha frikë se mos qëllohesha nga ushtarët grekë pa paralajmërim. Dëgjonin të kërciturat e shkarpave që në ato orë të tringëllinin disi me zhurmë dhe më ngatërronin me ndonjë derr apo ku e di unë.

Deri ku do të vazhdonit të iknit kështu?

Deri ku të më zinin rob ushtarët grekë. Ky qe qëllimi im, të dorëzohesha si i arratisur. Por ç'e do se nuk po më kapte njeri. Vazhdova ashtu duke ecur derisa më zuri mëngjesi. Pra aty nga ora 05.00, kur zbardhi, unë u afrova te lumi që të ikja anash tij. Dija se ku ndodhej posta dhe se sa larg ishte, se ma kishin përsërituar aq herë, saqë më dukej se kisha qenë me dhjetëra herë. Por qëllimi im ishte të paraqitesha si i paditur, prandaj ecja dhe anash lumit, që t'u shpjegoja se nuk dija nga të shkoja, por ecja rrjedhës së lumit, pasi e dija se të paktën ai vinte nga Greqia. Pasi bëra goxha rrugë, diku në një arë pashë disa fshatarë grekë që po punonin arën që në mëngjes. Aty e dija se isha shumë afër postës ushtarake, e ndodhur në një lartësi mbi neve. Fshatarët sa më panë, u sulën me vrap për të marrë armët e lëna në një cep të arës dhe më rrethuan. Dinin shqip. Njëri më tha: Ku shkon? Në Greqi - i them. E di rrugën? Jo - u përgjigja. Po pse erdhe? Nuk duroja dot më në Shqipëri. Nga kalove? Nuk e di, ja andej, ku di unë. Po ku do të shkosh? Ku di unë, ku ka këtu ndonjë vend të dorëzohem. Hajde me neve thanë, se këtu është posta ushtarake. Kështu, si më vunë në mes fshatarët e armatosur, të cilët hiqeshin si triumfatorë se kishin kapur një shkelës kufiri, u nisëm për te posta. Tani do të më fillonin peripecitë.

 

Intervista 3.

 

Ish-agjenti i sigurimit Isuf Mullai tregon historinë e vet kur u urdhërua për shërbim në emigrim. Si arriti në repartin e Greqisë dhe dy muajt e tij në qelit e torturave greke.

 

1. Isuf Mullai : Si durova torturat greke për urdhërat e Kadri Hazbiut.

2. "Dy netë në qeli rrija i mbështjell nga gjarpërinj të rrezikshëm"

Çfarë ndodhi kur të kapën fshatarët grekë?

 

Ata, siç thashë, më rrethuan dhe më thanë që të shkoja me ta. Unë hiqesha sikur nuk dija se ku dhe pse do shkoja. Ata mbanin armët drejt si triumfatorë që kishin kapur një diversant apo shkelës kufiri, si i thonin ata.

Po ti në të vërtetë e dije se ku po shkoje?

Si s'e dija. Unë ju thashë në intervistat e mëparshme, se për tre vjet kisha mësuar dhe shejtanin. Kështu u thashë fshatarëve, që të më dorëzonin ku të donin, se unë atë gjë kërkoja, të paraqitesha në organet e shtetit të tyre. Por unë e dija se ku ndodhej posta dhe sa kohë donte të shkoje deri aty. Dhe vërtet nuk kaloi as 20 minuta, kur na doli godina e postës kufitare para. U afruam te porta dhe pashë që ishte një indiferencë që ç'të të them. Çdo gjë mund t'i thoje, por repart gadishmërie kurrsesi. Ushtarët ishin si të përgjumur. Oficerët s'ishin ngritur akoma nga gjumi. Në oborr ishin nderë rrobat e ushtarëve që të thaheshin. Vetëm godina dhe ambienti bënin përjashtim, që ishin më shumë se një mrekulli.

Sa ishte ora në ato momente?

Duhet të ketë qenë ora shtatë e mëngjesit. Data që të saktësoheni ishte 7 gusht 1955. Një ditë më parë në atë orë unë isha ndarë me familjen. Tani pas 24 orësh ata më prisnin sipas fjalës që kishim lënë, që të shkoja sërish nga Gjirokastra për në festë, e cila bëhej afër fshatit.

Ç'të ndodhi në postë?

Hymë brenda në oborrin e repartit që, me sa mbaj mend, ishte një oborr i bukur me lule në çdo kënd dhe me stola të lezetshëm të vendosur me estetikë mes buqetave të luleve. Ushtarët, ashtu siç ishin të zbërthyer, njoftuan dikë brenda godinës, që kuptohej se flisnin me shefin e tyre.

Ç'mendonit në ato momente. A u frikësuat për ndonjë veprim ekstrem të ushtarakëve të huaj?

Dëgjo. Po të karakterizohesha nga frika, nuk do ta ndërrmerja fare atë veprim. E kisha mbledhur mendjen dhe e kisha bërë top. I kisha marrë parasysh të gjitha. Unë e dija që në çdo hap do të jetoja me vdekjen mbi kokë, e cila në çdo çast do të më kërkonte të më përpinte. Por njeriu një herë ka lindur dhe një herë do të vdesë. Unë ta kam përsëritur disa herë që i kisha shumë të qarta se ç'do më ndodhte brenda atyre reparteve. Dija se çfarë do më thonin dhe sa do të më mbanin. Ç'pytje do të më bënin, kush do të m'i bënte etj. Sigurimi shqiptar atëhere kishte informacione të sakta dhe të bënte një përgatitje fizike, psikologjike dhe profesionale në njohjen e të gjithë problematikës së të papriturës që mund të të dilte përpara, saqë unë kur vajta më dukej se kisha shkuar jo për herë të parë, por sikur isha vendas. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë veprimtarisë sime jashtë, nga ç'më kishin instruktuar njerëzit e sigurimit të Tiranës, nuk më doli asnjë gjë ndryshe. Të gjitha më dolën siç më kishin thënë ata.

E lamë subjektin kur ushtarët njoftuan shefin e tyre.

 

Nga godina doli menjëherë një oficer grek i shëndoshë dhe me mustaqe. Ai ishte i tronditur për ngjarjen që u informua, se, me sa kuptova, shqetësohej për faktin se do t'i hiqej ndonjë vërejtje, pasi unë kisha bërë mbi tri orë që prej kufirit deri në postë, pa mundur të më kapte njeri. Kjo do të thoshte për shefat e tyre që po të donte një keqbërës, mund të shkonte deri në postë dhe të kishte bërë masakër. Gjithsesi unë ndenja shumë i qetë, pa e vrarë mendjen fare. Ai më urdhëroi të futesha në një dhomë, ndërkohë që hyri dhe vetë me një ushtar që më rrinte gjithmon pranë. U ul në tavolinën që ishte parballë dhe pa më dhënë mundësi që të ulesha, filloi të më pyeste. Unë e kisha në mendje skemën legjendë të përgjigjeve të miratuar nga sigurimi, të cilën do ta thosha jo vetëm në atë moment, por gjithmonë në raste të tilla pyetjesh. Kështu Oficeri vazhdoi me të tijat duke mbajtur ndërkohë një proces-verbal. Si quhesh ti? Nga vjen? Pse erdhe? Nga kalove? Ku do të shkosh? Çfarë ke në xhep? Kush të ka dërguar? etj. Ndërkohë, ndërsa fillova të flisja, dëgjova zhurmat e tringëllimave të telefonave me dorezë që po u binin nga dhoma ngjitur. E kisha të qartë se po merrnin komandën e tyre eprore në Janinë për t'i raportuar për ngjarjen.

Si komunikonit, kur ti nuk e dije greqishten?

Ishte njëri nga fshatarët që e dinte shqipen shumë mirë. Siç duket ngaqë ishin fshatra kufitare me ne. Gjithsesi në përgjigjet e mia shabllone dhe të pandryshueshme që i thoja dhe në mes të natës, po të më çoje nga gjumi, ishin: "Nuk e di nga kalova. Isha në Delvinë. Në mbasditen e djeshme hipa në një makinë dhe u nisa për në Gjirokastër. Aty afër fshatit Selcë të Dropullit bëra sikur m'u kujtua një porosi e momentit dhe i thashë shoferit që të mbante makinën se unë do të zbrisja, pasi do të shkoja pak më mbrapa në Gjirokastër. Kështu bëra. Ndenja aty deri në mbrëmje dhe u nisa ashtu kot drejt kufirit me mendimin të bëhej ç'të bëhej. Në një rrëzë përroi si rrëpirë, ishte një boshllëk poshtë telave të kufirit dhe unë kalova, për çudi pa më diktuar njeri. Deri këtu erdha kot më kot duke ecur nëpër pyll. Shyqyr që më doli para lumi dhe eca anës tij, se këtë gjë e dija që kur isha në Shqipëri, që lumi që kalon në Gjirokastër rrjedh nga Greqia. Kështu që eca anës tij dhe e dija që diku këtu do të dilja. Unë doja vetë të dorëzohesha, kudo që të ishte e mundur. Po të kisha frikë, unë do t'u isha fshehur dhe fshatarëve që më sollën këtu, apo kujtuat se më kapën vetë? Jo vetëm kaq, por sa i pashë, thashë me vete shyqyr që i gjeta, e jo të fshihesha." "Çfarë ke me vete" - tha më në fund oficeri. I nxora nga xhepi pasaportën time dhe fotografitë e fëmijëve dhe ia dhashë, ndërkohë kontrollova dhe një herë (lojë) se mos kisha ndonjë gjë tjetër.

Po biletën e makinës që të dha sigurimi nuk e dorëzove?

Jo, atë sipas porosisë e kisha vendosur në xhepin e vogël të pantallonave (ku mbahen lekët), që ta gjenin vetë kur të më kontrollonin imtësisht. Atë, kur ta gjenin si rastësisht, unë do të kujtohesha se e paskësha vënë në xhep, kur e dija të humbur. Vetëm kështu do ta bënte bindëse alibinë e përgatitur me kujdes, që kisha ardhur vërtet nga Delvina. Ai që më bëri pyetjet më vuri përpara proces-verbalin që sapo e kishte përpiluar dhe e firmosa. Arrita t'i bindja disi se isha një njeri i zakonshëm dhe askush tjetër, aq më shumë kur më panë dhe më fytyrë të gërvishtur dhe rrobat e shqyera nga ferrat dhe drurët e pyllit. Si mbaruam të gjitha këto formalitete, të cilat për mua ishin të parat, por që do të përsëriteshin dhe me qindra herë, më uli në karrige për të vazhduar bisedën jashtë strukturës së proces-verbalit.

Ç'do bëhej më tej me ty, nuk të tha gjë?

Për 15-20 minuta, si kishim filluar bisedën e lirë me komandantin e postës, erdhi një makinë ushtarake tip "shevërlet" (amerikan), nga ata që mori dhe ushtria jonë pas viteve '90. Andej zbriti një major grek rreth 45 vjeç dhe dy ushtarë që mbanin me vete dhe një qen të madh kufiri. Ai zbriti tërë nerva dhe tërsëllimë, ku ndryshoi gjithë klimën e butë që ekzistonte deri në ato momente. Më foli që në fillim mua me një zë të fortë dhe tepër urdhërues, sikur do të më hante të gjallë. "Po ti nga kalove që erdhe deri këtu? Pse erdhe? Kush të ka dërguar? Pse loz të paditurin? Je aq i aftë sa të na mashtrosh neve?" etj., etj., që po i lëshonte si breshër duke më afruar fytyrën më afër. E dija që po fillonte ai që quhej "terror psikologjik". Pas tij radhën e kishin torturat. Gjithsesi, nga çdo situatë që krijohej, unë nuk lëvizja asnjë nerv. Vetëm se kur më jepte kohë për përgjigje, ia ktheja se ashtu e kisha menduar dhe se nuk pendohesha për veprimet e mia, çfarëdo që të më bënin. Për mua mjaftonte që kisha ikur nga ai vend i mallkuar që quhej Shqipëri. Pastaj më thanë të zhvishja rrobat. Eh, rroba i thënçin, se ato ishin bërë zhele nga rruga dhe ferrat. Ndenja vetëm me të mbathura. Më bënë shenjë që t'i hiqja dhe ato. Ashtu bëra, s'kisha rrugë tjetër. Më këqyrën me vëmendje se mos kisha ndonjë shenjë për fshehjen e ndonjë sendi poshtë mbathjeve. Pasi më panë mirë e mirë disa çaste, më dhanë urdhër të vishesha me një palë rroba ushtarake, që i solli një ushtar. I mora dhe i vesha pa e prishur shumë terezinë.

Të veshën si ushtar grek?

Po, po, si ushtar grek. Se rrobat e mia i mori ushtari që solli rrobat ushtarake.

Pse t'i morën rrobat?

Do t'i kontrollonin mirë. Ato, siç më kishin stërvitur, do t'i shqepnin fare dhe do të shpalosnin çdo cep të tyre se mos gjenin gjë të dyshimtë. Këto ishin rregullat e zbulimit. Po ç'zbulim zeza, do të thuash ti, kur sigurimi i shqipërisë u dinte jo vetëm çfarë lëvizjesh apo kontrollesh do të bënin, por dhe sa dhëmbë e dhëmballë kishin në gojë.

I kontrolluan konkretisht rrobat?

Po. Në ato momente gjetën dhe biletën e vendosur si pa të keq brenda tyre. Pra, me një fjalë, filloi të funksiononte skema. Unë u thashë që e dija të hedhur biletën. Ata kuptuan se kisha ardhur vërtet nga Delvina. Pas kontrollit të teshave më morën për të më përballur me një provë tjetër. Më vunë para me ushtar dhe më çuan larg prej repartit ku kishim qëndruar, diku afër një pylli. Më futën në një çadër, e cila ishte diçka e madhe, dhe rreth saj vendosën disa ushtarë roje të armatosur.

Pse të çuan në çadër, po fillonin torturat?

Jo, ishin akoma në fazën e provokimeve, që të konstatonin nëse isha i dërguar i sigurimit shqiptar. Më lanë nja dy orë në çadër, sa ia dha dielli me një të nxehtë të papërballueshëm. Mos harro, ishte ora rreth 12.00 e datës 7 gusht, që do të thotë, piqej buka në diell. Unë brenda saj isha bërë çurk në djersë dhe po më mbytej fryma. Në këto momente pashë (sikur përfitonin nga mungesa e shefave për t'i kontrolluar) që po iknin dhe ushtarët një nga një. Kështu e lanë çadrën, për rreth dy orë vetëm. Por unë e dija që kjo bëhej për të parë nëse do të largohesha unë apo jo. Por unë dola te dera e saj dhe rrija i qetë, se po të rrija brenda do të kuptohej që kisha pasur dijeni për këtë lloj loje. Kur më thanë se pse nuk ika (më tha si dashamirës një ushtar), unë ia ktheva, se ku do të shkoja dhe s'kisha arsye të trembesha. Megjithatë, donin të bindeshin thua ti? Absolutisht jo. Ata do të vazhdonin planin e tyre të më bënin presion me çfarëdo lloj forme, që të pranoja se s'isha një emigrant i zakonshëm. Kështu, u erdhi radha torturave dhe shumë përipecive të tjera.

Kur i filluan torturat?

Menjëherë të nesërmen. Atë ditë, si kaloi dhe prova e çadrës, më morën me makinë dhe më çuan në Janinë, ku do të fillonte tashmë situata më e vështirë.

Ku të vendosën në Janinë?

Ku do të më vendosnin, veçse në burg. Aty ndenja jo pak, por dy muaj. Çdo ditë do të më bëhej nga katër orë hetuesi, ku do të pyetesha për çdo gjë, jo një herë, por disa herë. Pyetjet bëheshin të tilla, sikur ata kishin dijeni se kush më kishte nisur, por që donin ta pranoja vetë. Ndërkohë vijonin me torturat që ishin nga më të tmerrshmet.

Çfarë torturash provuat?

Ishin të shumta, por dy ishin ato më të tmerrshmet. Elektroshoku dhe gjarpërinjtë në qeli.

I përshkruan dot shkurt këto dy tortura?

Po. Siç më mbanin fillimisht në dhomën hetuesi të burgut, ku bënin dhe ribënin kushedi se për të satën herë të njëjtat pyetje, më merrnin dhe, si më shtrinin në një krevat, më vinin dy polet e korrentit në vesh. Mbaj mend që dridhesha i tëri nën një dhimbje që nuk jam në gjendje ta shpjegoj dot. Ajo vazhdonte derisa bija pa ndjenja. Kjo gjë bëhej disa seanca në ditë dhe vazhdoi për disa ditë me radhë. Në atë torturë humba fare dhe dëgjimin nga një vesh. Ndërsa për rastin e torturës me gjarpër, do thoja që nuk ishte gjë ajo me korrent para kësaj. Unë do të kisha vdekur po të mos më kish treguar sigurimi në specializim se gjarpërinjtë ishin të stërvitur dhe se nuk kishin helm. Dija se po të kisha kaluar dhe torturën e gjarpërinjve, pothuajse e kisha të kaluar testin, se me të vërtetë isha ashtu siç u kisha deklaruar. Erdhi në një prej atyre ditëve një oficer dhe hapi derën e qelisë së vogël (1,5 me 1,5 m). Kishte me vete dy kuti të mëdha sa një valixhe dhe u hapi kapakun. Nga ato dolën dy gjarpërinj të mëdhenj nga rreth 2 metër secili dhe ishin shumë të trashë dhe të frikshëm. Ata sa u lëshuan në qeli, filluan të lëviznin zhurmshëm nëpër të. Dera ndërkohë u mbyll. Dritare nuk kishte. Ishte vetëm një llambushkë e vogël në mur për të bërë vetëm pak dritë mes errësirës pis që ekzistonte. Në fillim njëri gjarpër u pështoll rreth trupit tim dhe po më shtrëngonte për të më mbytur, duke u mbledhur deri te fyti dhe duke më nxjerrë gjuhën e frikshme, më drejtonte te fytyra dy sytë e mëdhenj, sikur donte të më thoshte: "Do të tregosh apo çfarë mendje ke?" Unë rrija i ngrirë krejt, me frymëmarrjen që pothuajse më bllokohej, duke vënë parakrahët te fyti që të mos më përdridhej gjarpri se mund të më mbyste. Ai si i stërvitur që ishte, më lëshonte në momentin që isha gati për t'u lëshuar pa ndjenja dhe pastaj fillonte tjetri, ndërsa ky ecte nëpër dhomë. O perëndi. Nuk ka zot që i beson dhe nuk ka zot të përshkruajë gjithë atë llahtari që vazhdoi për dy netë dhe dy ditë. Mua më nxirrnin çdo dy orë nga qelia dhe më pyesnin, pastaj si ngulja këmbë në timen, më fusnin prapë te gjarpërinjtë që mezi më prisnin për t'u vërsulur. Të mos isha i mësuar në kurs, do të kisha vdekur nga frika. Unë dija gjithashtu se vrojtohesha nga një kamer e fshehtë. Më pas i morën gjarpërinjtë duke më thënë që do të vazhdonin dhe me të tjera, pasi s'kisha si t'u shpëtoja. Por për mua kjo ishte fitore. Tani quhej i kaluar lumi, të më bënin çfarë të donin. Kështu mes kësaj situate kalova plot dy muaj në atë burg të tmerrshëm mes torturash në Janinë.

Si të nxorën nga burgu?

Në fillim më kërkuan të falur se më kishin rënë kot në qafë, por ishin të detyruar se kishin dijeni që sigurimi shqiptar u kishte dërguar shumë herë agjentë. Pastaj më dërguan për në Athinë. Aty më futën në policinë e Pireut, ku më mori në pyetje një tjetër kolonel. Por për fat përkthyesi doli një miku i babait tim nga Nivica e Sarandës, që quhej Mitro Papadhima dhe doli garant për mua se isha arratisur me të vërtetë, se më njihte familjen. Kështu, të nesërmen m'u dha e drejta të shkoja në kampin e refugjatëve, ku do të më merrnin në patronazh OJQ-të për më të gjetur punë. Provat me shtetin grek i kisha kaluar. Të tjera prisja të kaloja. Erdhi në polici më mori vetë shefi i sigurimit të kampit të refugjatëve të Llavrios. Aty gjeta rreth tre mijë refugjatë, ndër të cilët ishin dhe të paktën katërqind shqipatë, të cilët kishin vite që ishin aty, madje që kur kishin ikur nga koha e luftës. Misioni im ndërkaq kishte filluar.

 

Intervista 4. Agjenti i sigurimit komunist në Bruksel , Isuf Mullai, tregon historinë e misionit të vetë të ngarkuar nga Kadri hazbiu. Si arrita të shkoj në shtëpinë e Ahmet Zogut në Paris.

Kur shkove në kampin e refugjatëve?

Siç e shpjegova në numrin e kaluar, në policinë e Athinës, pasi më lejuan autoritetet greke, erdhi më mori vetë shefi i sigurimit të kampit të refugjatëve në Lavrio. Pastaj shkuam në kamp, i cili ndodhej jo më pak se 70 km nga Athina.

Çfarë ishte ky kamp dhe pse shkove atje.

Ai kamp quhej në gjuhën sekrete "kamp filtrimi", që do të thoshte se akoma nuk kishin mbaruar avazet e kontrollit të sigurisë, pasi te kushdo kishte mosbesim.

Ju lutem shpjegohuni më qartë. Nuk kishit të drejtë të ishit i lirë pas kaq torturash që hoqët për dy muaj në qelitë e burgjeve greke?

Absolutisht jo. Si mund të ishe i lirë? Shkoje në kampin që mblidhte refugjatë të ardhur nga e gjithë bota dhe aty ishe nën mbështetjen gjoja të këtyre OJQ-ve, që janë tashmë dhe te neve. Aty jetoje si në kazermat e ushtrisë, ndërkohë që ishe nën kontroll të plotë nga shumë drejtime. Këtu funksiononin format e tjeras të kontrollit, prandaj quhej kamp filtrimi. Aty gjoja ishe në pritje të ndihmës që mund të të jepnin këto organizatat jo qeveritare, që thashë më lart, të cilat kërkonin punë në shtete të ndryshme dhe pastaj përcillnin njerëzit me kontigjente. Duhet të kihet parasysh që në fillim iknin ata që kishin krijuar besim më parë, ndërsa të tjerët rrinin aty.

Si jetonit në kamp dhe sa ndenjët aty?

Jetonim si mos më keq. Si në kazermë, e thashë dhe më parë. Hanim dhe jetonim në turmë. Aty ishin 2500 deri në 3000 refugjatë nga e gjithë Evropa. Vetëm shqiptarë ishin rreth 400.

Kur kishin shkuar këta shqiptarë?

Ehu, që nga viti 1944 e pas, të cilët ishin larguar nga Shqipëria për t'i shpëtuar burgjeve politike. Pra, kishte nga ata që ndodheshin aty prej 10 vjetësh, 7 vjetësh e kështu me radhë. Ata jetonin si mos më keq. Kështu fillova të jetoja edhe unë. Por unë isha instruktuar se aty përgjohesha dhe ruhesha, ashtu siç bëhej për të gjithë.

Si ruheshit?

Kishte provokatorë në radhët e refugjatëve, të cilët çonin informacione të fshehta aty ku ishin urdhëruar. Kështu, ajo që përdorej si vend mëshire, ishte një çerdhe zbulimi. Unë ruhesha nga gjithçka që të mos e tradhëtoja veten në asgjë. U organizova me këta legalistët që në fillim se, siç thashë, kisha pasur babain oficer në kohën e Zogut. Kështu që isha diçka më i besueshëm. Na jepnin liridalje një apo dy herë në muaj dhe ndërkohë na vinin njerëz mbrapa për të na ruajtur, se mos bënim ndonjë takim të fshehtë.

Ju kishit konstatuar njerëz që ju ndiqnin?

Jo, unë e dija se isha vetë zbulues dhe nuk kisha nevojë që të ruaja. Pastaj fakti që unë ndenja vetëm dy vjet në kamp, tregon se isha ruajtur, por ngaqë e dija, nuk isha dekonspiruar.

Kishte agjentë të sigurimit nga vendet e tjera mes refugjatëve në kamp?

Si ore s'kish? Edhe këtë e dija, ishin rreth 30-40 veta nga shtetet e ndryshme, madje këtë e dinin dhe autoritetet e atjeshme, por nuk i zbulonin dot se ishin bashkuar kaq bukur me të arratisurit e vërtetë, saqë ishte i pamundur dekonspirimi.

Si puna Juaj?

Po, qesh, si puna ime. Duhet të dish se kuislingët ishin të dënuar në të gjitha vendet komuniste dhe ishin në ndjekje nga vendet e tyre.

Kur u larguat nga kampi?

Kalova dy vjet në atë jetë mizerabël, mes kushtesh teje të vështira. Ngrënia ishte e keqe. Veshjet që na sillnin, ishin si ato që shesin këtu gabelët, të cilat edhe kur i sillnin, kush t'i merrte më parë. Ç'të të them. Ishim kthyer në bagëti. Mirëpo unë kisha një mision dhe do të më duhej të përballoja gjithçka. Pastaj, siç të shpjegova, lidhur me misionin isha i kujdesshëm. Mua nuk ma hidhnin dot, se kisha bërë dy vjet kurs. Këtë tani po ta them se nuk e kam deklaruar ndonjëherë, që kursin ma kanë bërë specialistët më të mirë të Shqipërisë, të cilët kishin futur në gracka radiolojash dhe aventurash shërbimet sekrete të shteteve më të fuqishme të kohës. Pra, fjalën e kam se u krijua edhe aty besimi që unë me të vërtetë isha njeri i arratisur, për faktin se kisha qenë tepër i pakënaqur nga qeverisja në vendin tim. Ky konkluzion u arrit sigurisht dhe nga shumë informata që ishin marrë në Shqipëri.

Je i bindur që vepronte aq fuqishëm kundërzbulimi?

Mos e diskuto fare. Po që ta dish ti, gruaja ime në Shqipëri me fëmijët dhe prindërit jetonin të persekutuar, si të gjithë ata që sistemi i quante armiq vetëm për këtë fakt. Madje, kur u shtrua vajza në spital, e cila qe shumë rëndë, nuk i shërbenin fare, se thoshin që është vajza e armikut. Çfarë do të bënin të sigurimit? Po të thoshin që kijeni kujdes, merrte fund gjithçka se dekonspirohej misioni. Kështu, pas dy vjetësh, në kamp m'u dha e drejta që të lëvizja se më ishte gjetur punë. Dhe kur të them për dy vjet, duhet të kuptosh se ishte kohë rekord kur shikoje të arratisur të vërtetë nga Shqipëria, të cilët ishin shpallur me të vërtetë armiq dhe që kishin edhe nga 10 vjetë, dhe nuk kishin bërë të mundur largimin.

 

Po pse?

Se ishin të lehtë nga mendja dhe nuk kuptonin se pse po i mbanin në kamp. Unë isha zbulues dhe jo një njeri që bija në grackën e zbuluesve të tjerë, aq më shumë të grekëve. Sigurimi ynë atëherë, pavarësisht se ishte komunist, nuk e kam fjalën te politizimi, ishte i standarteve të larta. Dhe shteti ka nevojë për zbulues që të dijë të veprojë diplomatikisht me njërin apo me tjetrin shtet dhe jo të shkojë si derr në thes, siç po ndodh tani, që na merr përpara një grek që ne s'e llogaritnim.

Ku shkuat pas kampit?

Unë shkova në kamp në fillim të tetorit të vitit 1955, dhe ika në prill të vitit 1957. Aty, siç ndodhte gjithmonë, ishte biseduar për disa vende pune nga këto që quheshin organizata bamirëse dhe ishin bërë të mundura në Belgjikë. Me grupin që u vendos të sistemohej atëherë, isha dhe unë. Kështu që shkova në Belgjikë.

Shkuat të organizuar?

Po. Vetëm kur të hynim në punë do të integroheshim në jetën e lirë dhe private?

Po ju kishit ndonjë udhëzim nga Tirana kur u nisët për në vendin ku duhej të shkonit?

Jo. Udhëzimi i vetëm ishte, të veproja aty ku do të më çonte rasti. Për shembull mua më çoi hera dhe rryma në Belgjikë. Aty do të veproja. Porositë i kisha që, kur ta shikoja të arsyeshme, pra të më krijoheshin kushtet e përshtatshme, të vendosja ndërlidhjen me Tiranën.

Dhe kur e vendosët fillimisht?

Në Belgjikë. Si shkuam aty, unë menjëherë vendosa lidhjen me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.

Deri në ato momente nuk dinin gjë se ku ndodheshe dhe çfarë bëhej me ty?

Nuk besoj të mos dinin, megjithëse unë nuk kisha bërë asnjë kontakt që më 6 gusht të vitit 1955. Pas dy vjet shkëputjeje, nga fundi i prillit të 1957-s, u rilidha sërish.

Nëse më lejoni t'ju pyes, si e vendosët lidhjen?

Me letra me kod. Unë e dija dhe ata ma kishin thënë që letrat survejoheshin kur shkonin në Shqipëri. Pra të gjithë të arratisurit që dërgonin letra në shtëpi, dihej se ato shkonin në dorën e sigurimit të shtetit një herë. Aty ishin piketuar dhe njerëzit që ishin cilësuar si armiq të rrezikshëm, ku për survejimin e letrave të tyre ishte një grup më special. Kështu që kur merreshin letrat nga specialistët e zbulimit, në qoftë se ishin të personave që thamë më lart, që i kishin në disa lista tepër sekrete, i kalonin te grupi më i specifikuar. Në këto lista isha dhe unë, kështu që të gjitha letrat e mia kalonin në grupin e veçantë special. Ata e dinin se kush isha dhe dikush nga ata i dinte dhe kodet e bisedimit. Unë letrën e nisja në emër të familjes, por pasi vendosja kodin brenda, kuptohej që nuk ishte për familjen, por për Ministrinë e Brendshme. Oficeri që merrej me zbërthimin e kodit, e zbardhte atë dhe shkonte direkt te Kadri Hazbiu. Pastaj porositë e tij i kthente prapë me kod dhe ma dërgonte. Kështu që dukej si një letër që vinte nga familja dhe brenda saj nuk mund të kuptoje asgjë, por që në të vërtetë vinte nga sigurimi dhe direkt nga Kadri Hazbiu.

Po letrat që i dërgonit me të vërtetë familjes?

Ato merreshin njëherë nga grupi special, që nuk përjashtonte asnjë letër timen, dhe si nuk gjente kodin brenda, e mbyllte prapë zarfin dhe e çonte me rrugën normale të postës, ku i shkonte në dorë gruas. Në të mund të dërgoja dhe para, siç kisha bërë shumë herë. Por sigurimi u jepte rregullisht, sikur i kisha dërguar unë, që të mos e kuptonin dhe familjarët e mi për atë që ndodhte rreth tyre.

Mund të na thoni disa kode?

Posi. Ato ishin dhe shifra dhe fjali. Për shembull: "Vajzën e ke sëmurë, por do ta çojmë te doktori. Blemë 1786 lekë bufen e dhomës së madhe", - këtu është shifra kod. Të gjitha këto ishin sikur i dërgonte gruaja.

Po me gojë nuk komunikonit?

Posi, dhe me gojë. Nga letra kuptoja që do të vinte posaçërisht një oficer i Ministrisë së Brendshme në ambasadë, sikur vinte me shërbim apo për ndonjë punë tjetër. Me kode ishte përcaktuar vendi dhe ora që do të takoheshim. Kështu, në orën e caktuar unë bëja sikur isha, për shembull, fotograf dhe vinte i dërguari i Kadri Hazbiut, me të cilin takoheshim rreth një apo dy orë në fshehtësi të plotë. Ai nuk e kishte problem, sepse i hipte avionit dhe lëvizte si zyrtar, kështu që brenda ditës e kishe në Tiranë apo në Paris, ku ishte ambasada. Shpesh lidhesha edhe me sekretarin e parë të ambasadës sonë në Paris, i cili ishte në dijeni. Vetëm ai e dinte, ndërsa të tjerët jo.

Kush ka qenë ambasador atëherë?

Unë ndenja në Belgjikë plot 8 vjet dhe u ndërruan 3 ambasadorë. I pari ishte Llambi Peçini, i cili ishte një burrë i mrekullueshëm dhe unë e kisha shumë mik.

Dihet tashmë se ju keni pasur funksione shumë të rëndësishme në Partinë e Legalitetit. Si i arrite ato?

Dëgjo. Që kur isha në kampin grek, unë u mora me Partinë e Legalitetit, se atje ishte vendi që mblidhej i bardhi dhe i ziu. Në fund të fundit kjo ishte detyra ime. Dhe aty kishte njerëz që ishin të njohur dhe kishin vendosur lidhje me familjen mbretërore, gjë të cilën unë e dija ashtu siç dija se kush ishin ata. Kështu që loja ime detyrimisht do të jepte efekt. Mes këtij aktivizimi kam marrë vesh që është vënë në dijeni dhe vetë Ahmet Zogu. Ai, detyrimisht, kur miqtë e tij i kanë folur mirë për mua, ka dhënë porosi që të mbahesha afër dhe të aktivizohesha në parti. Ai kishte porositur madje të bëhesha kryetar në organizatën ku isha. Kështu që në Belgjikë vajta me krahë të ngrohta, pasi mbreti kishte dijeni për mua. Aty po u aktivizova shumë, që nuk ia vlen të ndalemi tani, pasi i ka përfshirë pothuajse të gjitha Nasho Jorgaqi te "Mërgata e Qyqeve". Mes këtij aktivizimi të madh, quhesha kryetar për degën e Belgjikës (se isha i caktuar nga mbreti kudo që të shkoja), ndërkohë që sekretarin e zgjidhte kolektivi (kongresi). Ishin skemat e mia që u zgjodha që në kongresin e parë të partisë si sekretar për degën e Belgjikës. Unë, pas kësaj, kisha në dorë të jepja dhe gradat e anëtarëve të partisë.

Me një fjalë, partia e Zogut u vu në kontroll të sigurimit komunist?

Ajo ka qenë gjithmonë në dorë të sigurimit, që kur isha unë dhe pas meje, deri në fund (qesh).

Si e konsideronit veten mes tyre për detyrën që kryenit?

Ore, por mos kujtoni se objekti i punës sime ishin të gjithë njerëzit e atjeshëm. Jo. Aty kishte njerëz që ishin miqtë e mi më të mirë dhe kanë ngelur të tillë gjithë kohën. Madje kam shkuar atje dhe në vitin 1999 për t'i takuar. Objekti im ishin njerëzit që donin të arrinin qëllimet e tyre mes vrasjeve të njerëzve të thjeshtë apo të inkurajoja njerëzit e trembur, të cilët nuk kishin bërë krime. Dhe me partinë e mbretit nuk kisha gjë. Elementet e veçantë të saj ishin njerëz që duheshin mbajtur nën kontroll.

Si të ftoi Zogu në shtëpi?

Kjo ndodhi pas një viti qëndrimi në Belgjikë. Mbaj mend që më njoftoi kryeadjutanti i tij, Hysen Selmani, se më priste plot 30 minuta vetë mbreti Ahmet Zogu.

Ai atëherë jetonte në Kanë të Francës. Ai ishte në dijeni për detyrat që më ishin besuar dhe donte të më njihte vetë. Ky ishte një sukses i madh për mua. Në një kohë që dija se para disa ditësh Hasan Dostin e kishte pritur vetëm 20 minuta, mua po më priste 30 minuta, që nuk ishin pak. Por kjo ishte një mbështetje e madhe për mua.

Tashmë ishte çelur para meje një rrugë krejt e re, që më duhej ta administroja me kujdes dhe zgjuarsi. Gjithsesi emocionet që do të takohesha me mbretin i kisha të mëdha. Sipas kryeadjutantit do të nisesha që të nesërmen!

Ju lutem ma shpjegoni hollësisht takimin e parë me Zogun.

Ishte gushti i vitit 1957. Unë po bëja plot një vit që kisha arritur në Belgjikë. Ndërkohë unë kisha lidhje të plota me sigurimin e shtetit në Tiranë. Në një prej këtyre ditëve më vjen vetë kryeadjutanti i Ahmet zogut, Hysen Selmani. Ai më thotë se më priste në një takim 30 minutësh vetë Lartmadhëria e Tij. Për këtë duhej të nisesha menjëherë për në Paris, që ishte rreth 400 km nga Brukseli, ku jetoja unë.

Pse, ku jetonte Zogu atëherë?

Ai jetonte në Kanë të Francës.

Megjithëse e prekëm pak në numrin e kaluar, a kishit emocione?

Si s'kisha? Pavarësisht se isha njeri i sigurimit të shtetit, qëllimi im nuk ishte Ahmet Zogu. Emocione kisha, se ai nuk ishte njeri dosido, por dhe hasëm ta kishe, duhet të pranoje që kishte qenë mbret.

Ju e kishit parë herë tjetër Zogun, pasi atëherë nuk kishte as televizor?

Unë e kisha parë vetëm një herë më 5 prill të vitit 1939. Pikërisht kur do të ikte nga Shqipëria. Atë ditë, me rastin e lindjes së birit të tij Leka, u zhvillua një paradë e madhe me nxënës shkollash dhe punonjës të tjerë. Unë isha në shkollën mbretërore për ushtarak. Madje në atë shkollë ishin vetëm 50 nxënës, ndërkohë që nga jugu kanë qenë vetëm 5 prej tyre.

Pse vetëm 5 nga jugu?

E vërteta është që Ahmet Zogu, në kohën e qeverisjes së tij, ka bërë një diferencim të madh të jugut me veriun. Madje dhe një polic që vishej për fshatrat e Gjirokastrës, nga isha unë, duhej të ishte nga Mati. Që të mos zgjatemi, se dalim nga subjekti që flasim, atë ditë, ne nxënësit e shkollës mbretërore, të veshur mirë, parakaluam para mbretit, i cili, i vendosur në mes të motrave të tij (te Akademia e Arteve), po nderonte ushtarakisht. Kështu që tani, pas kaq kohësh, do ta shikoja për herë të dytë.

Me çfarë cilësie shkonit te mbreti?

Me cilësinë sekretarit dhe këshilltarit të degës së Legalitetit në Belgjikë.

E kujton imtësisht momentin e takimit?

Nuk ka rëndësi ora, por di që e prisja me padurim takimin. Unë një ditë para isha vendosur në një hotel në Paris. Emocione kisha në radhë të parë, se çfarë përshtypjeje do t'i lija, ndërsa në radhë të dytë se më kishte vlerësuar shumë. Më kishte rezervuar 30 minuta takim, kur, siç ua theksova dhe ditën e parë, Hasan Dostit, që e kishte pasur dhe ministër në qeverisjen e vet, në pritjen që i kishte bërë 3 ditë më parë, i kishte rezervuar vetëm 20 minuta. Kështu që mes këtyre emocioneve shkova në dhomën e pritjes. Ajo ishte dhomë mbretërore, ku ceremonitë dhe portokolli mbretëror ishin standart. Kështu, në pritjen që më bënë, ishte mbreti në vendin e caktuar, mbretëresha, princeshat (motrat e tij) dhe princi Leka.

Takimi u bë i përzemërt. Duhet të pranoj se ai ishte një zbulues dhe psikolog i fortë. Këtë e konstatova se fillimisht, sa filluam bisedën, ai bëri disa pyetje që m'i kishin bërë sapo hyra në Greqi. Pyeti se si kisha mundur të kaloja kufirin. Si ruhej ai. Çfarë problemesh kisha pasur në Shqipëri. etj., etj.

Po ju për çfarë i folët?

Unë i thosha që nuk e kuptoja se pse nuk po ndihmoheshim nga perëndimi. Ai më pyeste se pse e thosha një gjë të tillë. Unë ia ktheja, se fakti që njohën qeverinë komuniste, ishte një goditje për ne. Në atë moment, mbaj mend, që më tha se kjo ishte mirë që ishte njohur, pasi Shqipëria duhej të ekzistonte si shtet. Kjo ishte e rëndësishme që t'i shpëtonte copëtimit etj., etj. Kur kaluan 30 minuta, unë pashë me bisht të syrit orën, duke kthyer kokën nga kryeadjutanti për të lënë të kuptohej sipas porosisë së marrë, se isha gati që të largohesha. Mbreti e kapi menjëherë shikimin tim dhe ma bëri me shenjë që të mos shqetësohesha, por të vazhdonim muhabetin. Kjo për mua ishte një sukses i madh. I kisha hyrë në zemër mbretit. Vazhduam akoma bisedën e nisur dhe u largova pasi kishin kaluar plot 46 minuta.

U kthyet sërish në Bruksel?

Jo, Selmani (kryeadjutanti) më tha që të mos largohesha, por të zija hotel dhe të haja e të pija sa të doja, se të gjitha shpenzimet do të paguheshin nga pallati. Unë i thashë që nuk kisha nevojë për para, se unë punoja. Nuk doja të tregohesha se isha futur në parti si lëmoshqar. Dhe ashtu ishte vërtet, unë kisha qëllime të tjera, pasi për para nuk kisha nevojë.

Ku i gjenit lekët?

Më vinin nga Tirana. Dhe unë vetë bëja ndërkohë. Por me lekët që më vinin, i përdorja qoftë për vete, qoftë dhe për të rekrutuar njerëz të tjerë.

Pse, rekrutoje njerëz nga partia e Zogut?

Sa të duash. Unë kisha mundësi të tregohesha edhe i shoqërisë, se kisha porosi nga Tirana që të qerasja dhe të prishja lekë me shokët për t'u fituar zemrën. Pastaj gjeja nga ata që kishin nevojë për ndonjë qerasje apo ndonjë ndihmë financiare dhe unë nuk i kursehesha.

E lamë fjalën kur ike nga mbreti.

Ku ika!? Më pas ndodhi më e çuditshmja. Unë i kisha hyrë shumë në zemër mbretit dhe ai më ftoi për drekë. Kur më njoftoi Selmani se isha i ftuari i posaçëm i familjes mbretërore për drekë, pasi do të më akordohej në këtë mënyrë titulli “Mik familjar”, më tregoi gjithashtu dhe për përshtypjet e Zogut për mua. Tha se ishte shumë i kënaqur dhe se duhej të mbahesha afër. Ndërkohë ai më tha nëse kisha nevojë që të nesërmen të më dërgonin një makinë për të më marrë. Unë ia ktheva se nuk kishte rëndësi, mjaftonte nderi që më kishte bërë mbreti. Të nesërmen, në orën e caktuar, më mori një limuzinë akull të re, që nuk e kishin as në pallat, dhe shkova. Atë drekë nuk e kam provuar asnjëherë në jetën time. Unë kam pasur rast të ha dhe me njerëz të lartë të shtetit komunist, deri me anëtarë të Byrosë Politike. Por një drekë të tillë dhe një nder të tillë nuk e kam provuar. Familja mbretërore më ka nderuar shumë.

Po pas takimit me Zogun, u ktheve sërish në Bruksel?

Detyrimisht. Pastaj të gjithë më bindeshin në mënyrë të padiskutueshme. Ftesa e Zogut ishte një mesazh i qartë për këdo. Unë kisha në dorë të jepja dhe gradat për këdo që mendoja. Grada deri në Major firmosej nga unë.

Sa vjet ndenjët në Bruksel?

Ndenja plot 8 vjet, shto dhe dy në kampin e Greqisë bëhen plot 10 vjet.

Kishte njerëz që ju i respektonit shumë?

Patjetër. Aty kishte njerëz shumë të mirë. Kishte njerëz shumë fisnikë që kishin ikur dhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje apo nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm politik, që mund t'u bënin në Shqipëri, ashtu siç kishte njerëz që kishin bërë nga një gabim të vogël dhe ishin detyruar të braktisnin familjet nga Shqipëria përgjithnjë. Unë në këto raste veprova fuqishëm dhe këta persona, ose u kthyen, ose u bënë bashkëpunëtorë të sigurimit. Unë mund të të them se kam shkuar prapë në Bruksel në vitin 1999 dhe i takova të gjithë miqtë e mi, që gjithsesi ishin dhe mbeteshin legalistë, por që ishin njerëz të mirë.

Kishte shumë elementë të sigurimit të shtetit në Partinë e Legalitetit?

Unë kisha rekrutuar jo pak. Por unë flas për ata që gjeta. Dija që kishin ardhur edhe nga Tirana shumë të tjerë si puna ime, por që nuk i njihja se kush ishin, dhe as ata nuk e dinin për mua. Këto janë të tjera gjëra për mënyrat si funksiononte Shërbimi i Fshehtë.

Po me elementët e këqinj, si veproje?

Në radhë të parë, unë njoftoja për ata që vinin në Shqipëri për të vrarë apo për të marrë hak. Kishte dhe shumë njerëz që të kallnin datën për etjen që kishin për të vrarë. Flisnin në emër të nacionalizmave që të luftonin komunizmin me çdo mjet, por harronin se ata njerëz që quheshin komunistë në Shqipëri, ishin njerëz të thjeshtë dhe të vuajtur, por që fatkeqësisht bëheshin pre e këtyre intrigantëve dhe spekullatorëve.

Pse i konsideron kështu, mos ke ndonjë mllef personal?

S'kam absolutisht asgjë personale, por s'kishe si t'i quaje ndryshe ata tipa që flisnin dhe propagandonin me të madhe për Shqipërinë etnike dhe të madhërueshme, duke u fshehur mes njerëzve vërtet të mirë, ndërkohë që ishin gati që për një dorë para të shisnin gjithë Shqipërinë, po të kishin mundësi. Kështu që detyra ime ishte të njoftoja për çdo lëvizje të tyre, ashtu siç duhej që, nëpërmjet fraksionesh brenda grupeve të tyre, t'u prishja shumë plane.

Keni pasur suksese në punën tuaj 10-vjeçare?

Shumë. Unë arrita të kontrolloja absolutisht gjithçka që ndodhte në Partinë e Legalitetit në mërgim. Por për këtë nuk është vetëm merita ime, sa edhe ajo e shumë miqve dhe shokëve të drejtë, që pavarësisht se na ndanin bindjet politike bashkë, gjithsesi ishin shpirtërisht larg dhunës dhe krimit. Akoma më shumë që gjeta mjaft miq dhe njerëz që ishin dhe politikisht të njëjtë me mua…

Keni pasur urdhra për të vrarë njerëz, që ju i keni konsideruar kriminelë?

Jo. Ne vepronim në ilegalitet, por dhe në mënyrë tepër të organizuar. Na ishte e ndaluar të vrisnim për disa arsye. Se në radhë të parë mund të dekonspiroheshe dhe në radhë të dytë nuk dihej kë vrisje. Ai që ty të dukej më krimineli apo më armiku i Shqipërisë, mund të ishte njeri i sigurimit.

Keni pasur urdhra për të vrarë njerëz, që ju i keni konsideruar kriminelë?

Jo. Ne vepronim në ilegalitet, por dhe në mënyrë tepër të organizuar. Na ishte e ndaluar të vrisnim për disa arsye. Se në radhë të parë mund të dekonspiroheshe dhe në radhë të dytë nuk dihej kë vrisje. Ai që ty të dukej më krimineli apo më armiku i Shqipërisë, mund të ishte njeri i sigurimit. Madje që të jem i sinqertë, nisur nga ato aventurat e moshës, për disa që e kishin bërë hak, kërkova leje në Tiranë për t'i vrarë apo jo, për këtë apo atë arsye. Dhe përgjigjja ka qenë e prerë, "Jo". Duhet të dini që përgjigje të tilla nuk vinin pa u konsultuar tek Enver Hoxha.

Kush mund të ishin këta njerëz që ju donit t'i vrisnit?

Janë nga ata që erdhën me flamurin e lirisë si triumfatorë të mëdhenj, që në '91-shin bënin dhe thirrje për hakmarrje apo kushedi se çfarë llomotisnin tërë ditën Enver Hoxha, Enver Hoxha. Por nuk e dinin se Enver Hoxha i kishte mbrojtur, se një fjalë të na thuhej neve, nuk e merrnin vesh nga shkonin. Humbisnin si lepuri në vresht. Por u dukën se ç'mall ishin, se pasi erdhën, bënë ca deklarata dhe shkuan prapë si kurvat nëpër rrugët e Evropës.

Leka Zogun e keni njohur atëherë?

Si s'e kam njohur? Kur shkova unë për herë të parë në shtëpinë e tyre, në vitin 1958, ai ishte 14 vjeç dhe kur u largova për në Shqipëri, e lashë 21 vjeç. Kushedi sa herë kemi lëvizur me makinën time bashkë. Ishte djalë i qetë dhe me botë rinore të pasur. Ishte shumë i gjerë si shpirt. I ati bënte shumë përpjekje që ta përgatiste diplomatikisht. Por ai është larg të atit në zgjuarsi.

Në ç'kuptim?

Që nuk mund t'i afrohet kurrë të atit, i cili ishte një psikolog i jashtëzakonshëm dhe shumë i zgjuar. Ndërsa ky nuk e ka praktikën dhe aftësitë për drejtimin e shtetit. Aq më shumë që është larg realitetit shqiptar, pasi është mësuar në një tjetër botë, që ndryshon shumë me psikologjinë tonë. Le njëherë që është shumë naiv!

 

Mund të sqaroheni më hollësisht për këtë naivitet?

Nuk të flas më tepër për këtë pikë, veçse po të them kaq: Partia e legalistëve ka qenë gjithmonë nën drejtimin e komunistëve dhe komandohej që nga Tirana, madje dhe sot që Leka Zogu ka rreth vetes njerëz, të cilëve, dhe të mos u besonte shumë, nuk do të bënte keq. Mund të them se dikur e kam mbrojtur jo pak, këtë ndoshta ai nuk e di.

Nga kush, si, dhe pse e mbrojtët?

Në familjen e tyre ka pasur një kleçkë. Shumë kohë para se t'i lindte Leka, Ahmet Zogu, për çdo rast, sido që të vinte puna, në një kosultim i kishte thënë nipit të tij, pra djalit të vëllait, që ishte Skënder Zogu, që fronin mbretëror, po të ishte gjendja familjare në atë formë që ishte aktualisht (pra po të mos lindte djalë), do ta trashëgonte ai.

Mirëpo shpejt Zogu vendosi të martohej dhe pas një viti u bë me djalë. Në këtë rast Skënder Zogu duhet të ketë qenë njeriu që është mërzitur më shumë. Këtë unë e kam konstatuar në Paris, ku me sytë e mi prej zbuluesi të stazhionuar, evidentoja një mllef të palexueshëm që ishte mbledhur në qenien e tij. Në provokimet që i kisha bërë, kisha rezultuar se mund të bëhej i rrezikshëm kur të doje. Këtë unë ia kam thënë mbretit me gojën time dhe ai më besoi. Pranoi sugjerimin tim, që Skënder Zogu të mos shkelte më në pallat. kështu e bëmë të paefektshëm.

Po pse e bëtë, a nuk ishit dhe ju, në njëfarë mënyre, armiku i mbretit?

Absolutisht jo. Detyra ime nuk kishte të bënte me familjen në fjalë. Afrimi me të më duhej që unë të kontrolloja emigrantët, të cilët ishin angazhuar të gjithë pothuajse në partinë e tij. Kështu që mua nuk më prishte punë mbreti. Aq më shumë që në atë formë do të bëhesha më i besueshëm, ashtu siç ndodhi në të vërtetë.

Për familjen tënde në Shqipëri, a kishit dijeni se si jetonte?

Si mos më keq. Gruaja më ka vuajtur shumë. E dërguan në fshat bashkë me fëmijtë, Nezaqetin, Kujtimin dhe Luanin, që lindi pas ikjes sime, sepse siç shpjegova, ishte tremuajshe shtatzëne kur unë ika. Ata, sa shkuan në Fushë-Bardhë (Gjirokastër) u ndeshën me një opinion mbytës. I quanin familje armiqsh. Nuk u fliste njeri. Kishin një trysni, që e përjetonin dhimbshëm edhe fëmijtë. Pas kësaj, shkuan në një fshat tjetër, në Fushë-Vërri të Sarandës; aty trysnia politike ishte diçka më e durueshme. Resua dhe tre fëmijët, por jo më pak, edhe babai, motrat e vëllezërit jetonin me kokën përdhe, duke punuar në punët më të vështira dhe nuk kishin as një dallim nga të persekutuarit e tjerë. Madje, ata e morën vesh se kush isha unë, vetëm në janarin e '65-s, kur u shkova në shtëpi. Kjo ndodhte se unë e njihja mirë survejimin nga kundrazbuluesit brenda Shqipërisë kur ata informonin njerëzit e tyre; ashtu si edhe unë informoja shtetin tim në çdo kohë.

Kur u nise?

Që të dal te kjo përgjigje, do të të them se unë ika jo për dhjetë vjet, aq sa ndenja, por për tre vjet. Fakti ishte se unë arrita poste të larta dhe mundësitë që kisha për të dhënë informata, nuk mund t'i kishte kurrë një tjetër, i cili do të vinte në vendin tim.

I kishit kërkuar Tiranës që të ktheheshit?

Posi ore! U lodha së tepërmi. Njeri isha edhe unë, nuk isha gur. Isha larg familjes. Ata po më vuanin. Flasin mediat sot për mua, por nuk e dinë që po aq u lodh dhe sakrifikoi edhe gruaja ime, Resua, që mbeti vajzë e re në mes të katër rrugëve me mendjen nga burri. Priste të merrte çdo ditë mandatën e vdekjes sime, se isha në mes të kriminelëve.

 

Po për ikjen?

Ishte fundi i vitit 1964 kur unë ika. Që në fillim të atij viti u vura në survejim të plotë. Dyshimi se mos isha i dërguari i Sigurimit Shqiptar u bë i pashmangshëm për të gjithë. Në shumë raste kisha provokime. Në shumë të tjera më thuhej copë se mund të më kishte dërguar Enver Hoxha. Unë, detyrimisht isha shumë i kujdesshëm.

Kishit frikë?

Të thuash se nuk kisha, gënjej, por që të jem më i saktë, kisha më shumë shqetësim se po privohesha në mundësinë për të kryer detyrën. Ndërsa përsa i përket jetës time, po të bindeshin për detyrën që kryeja, nuk do të ma bënin shumë të gjatë. Por, unë nuk e them për mburrje se ndoshta e kam thënë disa herë, e kisha mendjen top që ditën kur u nisa, aq sa veten më shumë e kam menduar të humbur se të gjallë. Por, gjithsesi, detyra ime ishte të informoja për çdo shqetësimin, lidhur me provokimet apo dhe me pyetjet e hapura. Kjo gjë vazhdoi deri nga fundi i vitit 1964 kur në një takim të veçantë, që më kërkuan disa eksponentë të partisë, më thanë të flisja hapur si e kisha punën se nuk do më bënin gjë. Unë, sigurisht ruaja gjakftohtësinë dhe qetsinë. Me argumente bindëse i bëra të tërhiqeshin.

Çfarë argumentesh?

U kujtova rastet që kishin dyshuar edhe herë të tjera, por ishte vërtetuar e kundërta. Kështu që koha do ta tregonte edhe këtë bllof të tyre.

Nga ishe dekonspiruar?

Informacioni u kishte ardhur nga Shqipëria. Kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që unë do të vazhdoja të punoja për të zbatuar urdhërat që më jepeshin, pa u trembur, sido që të ndodhte puna. Ky ishte betimi im dhe nuk do të luaja.

Po pse ikët?

Informacionet që i kisha çuar Ministrisë së Brendshme në lidhje me situatën time të dekonspiruar, përputheshin me informatat që ata kishin, prandaj më dërguan urdhrin urgjent që të nisesha menjëherë në Shqipëri, pasi rrezikohesha nga momenti në moment.

Si të njoftuan?

Ishte 1 dhjetori i vitit 1964 kur mora letrën e dërguar nga Tirana, e cila shkruante kodin: “Vajzën e ke sëmurë, por do ta çojmë te doktori”. Pra, fjala ishte "Nisu!".

Si vepruat?

Menjëherë e çova makinën në servis. Kisha një veturë të vogël tip "breshke", por të mirë. Ishte e rehatshme dhe kishte motor të përsosur. Megjithatë, unë e çova në servis që sido që të ishte puna, të ishte në gjendje të mirë. Pastaj e çova në lavazh, e bëra "pasqyrë" dhe e parkova në oborrin e shtëpisë. Si shkova në shtëpinë, që e kisha marrë me qera, mora të gjithë dokumentacionin e Partisë së Legalitetit, të cilin e mbaja aty, dhe e vendosa me kujdes në dy valixhe të mëdha. Koha jashtë ishte e keqe. Kishte rënë dëborë dhe bënte ngricë e madhe. Sa shkoi ora rreth 04.00 e mëngjezit, dola nga shtëpia dhe si pashë njëherë me kujdes jashtë saj deri në rrugën matanë, vura valixhet në makinë dhe u nisa menjëherë për në Paris. Do të shkoja drejt e në ambasadën tonë. Rruga kishte trafik të madh dhe ishte jo e shkurtër, por mbi 400 km. Kështu që arrita në Paris aty nga ora tre-katër pasdite. Shkova menjëherë te ambasada dhe nxorra valixhet nga makina.

Kishit shkuar ndonjëherë në ambasadë?

Si mund të shkoje?! Po të të konstatonte njeri, dekonspiroheshe menjëherë. Por unë Parisin e kisha bërë si shtëpinë time. Shkoja gjithmonë dhe rrija dhe me ditë. Dija çdo skutë e rrëzë dhe ambasadën e kisha mësuar nga taksia. Kështu, shkova te porta e ambasadës me valixhe në duar. Mirëpo nuk më hapnin portën se nuk më njihte njeri. Nuk lejonin njeri të hynte brenda. “Me ju ballistët do të merremi tërë jetën ne?", më thanë. Ishte situatë e vështirë. Kjo ndodhi se nuk ishte ambasadori aty, se me atë njihesha dhe ai kishte dijeni të plotë se kush isha unë. Kështu që u thashë punonjësve që të njoftonin menjëherë në telefon sekretarin e parë të ambasadës, Hasan Luçin, dhe t'i thonin se Isuf Mullai është te porta me valixhe në dorë. Isha me emocione se rrezikohesha shumë, pasi kisha valixhet. Pas rreth një çerek ore, erdhën prapë te porta dhe ma hapën derën, pasi u kishte thënë anbasadori (Hasani) të më fusnin menjëherë brenda. Pas pak erdhi vetë Hasani dhe folëm gjatë bashkë. Për të fjetur do të shkoja te një hotel në Paris, diku larg ambasadës se nuk lejohej që të rrinte njeri atje.

Nuk kishit frikë?

S'kishe si bëje ndryshe. Në qoftë se shihja ndonjë nga ata të partisë apo të njohur të tjerë, nuk do t'ju thoja që jam duke ikur në Shqipëri, por "jam në xhiro, në punën time". Shumë se vrisja mendjen tani që kisha futur valixhet me dokumentet në ambasadë. Aty ndenja 4 ditë vërdallë, sa të më bëheshin dokumentet për riatdhesim. Pastaj më erdhi dokumenti, të cilin ma dha ambasadori ku shënohej se riatdhesohesha. Të nesërmen, pra më 8 dhjetor, Hasani më çoi në aeroport ku më kishte prerë edhe biletën e më sistemoi në avion. Ndërkohë, ishte njoftuar edhe ambasadori përkatës, që të më prisnin në stacionet e Romës ku do të zbrisja. Edhe ai, sipas urdhërave që kishte marrë nga Tirana, kishte për detyrë të më hipte në avionin tjetër, që vijonte më tej udhëtimin. Por më e vështira ndodhi, pikërisht, në Romë.

Pse?

Sepse kur shkova atje ambasadori ynë nuk kishte dalë, sipas porosisë së marrë. Unë nuk bëja dot asnjë lëvizje tjetër, sepse nuk dihej si ishte puna. Problemi qëndronte se në këto momente, kur unë kisha një javë që kisha ikur nga Brukseli. Mund të ishte marrë vesh në partinë e atjeshme dhe ata mund të kishin dhënë alarmin që unë po ikja me dokumentet sekrete të partisë. Kështu, mund të njoftonin degët e tyre në vendet ku kalonte linja e avionit dhe viheshin në ruajtje aerodromet përkatëse. Në momentin që unë mbeta vetëm në mes të aerodromit të Romës, mund të më ndodhte e papritura. Aty nuk ndenja pak, por plot një orë e gjysëm. Vetëm pas kësaj kohe u duk ambasadori, që erdhi me një alarm të jashtëzakonshëm, pasi e kishte të qartë se jeta ime, ashtu në mes të rrugës, varej në fije të perit.

Si e shpjegoi vonesën ambasadori ynë?

Ishte njoftuar me vonesë.

Pastaj u nise për në Rinas?

Me ambasadorin hipëm në avionin e linjës Romë - Bari. Dhe që andej vijuam për në Rinas.

Si u prezantuat në atdheun tuaj, që dikur kishit ikur si i arratisur?

Ndjeja emocione të mëdha. Në ato momente më hipi një mall i madh për familjen. Më dukej sikur sa të hapej dera e avionit, jashtë do të më prisnin fëmijtë. Kisha dhjetë vjet që u ika, gjoja për një natë, dhe po u shkoja vetëm pas dhjetë vjetësh. Kisha lënë vajzën, Nezaqetin, 4 vjeçe dhe e gjeja në klasën e shtatë, pra katërmbëdhjetë vjeçe. Kujtimi, që e kisha lënë veç tre vjeç, nuk më mbante mend as si fytyrë; se mos e mbaja unë xhanëm, ishte në klasën e gjashtë, pra 13 vjeç. Më shumë akoma, më kishte lindur djali i vogël, Luani, pesë muaj pasi kisha ikur unë dhe tani ishte në klasën e katërt fillore. Mendova për gruan, që i kisha ikur papritur dhe e kisha lënë vetëm me fëmijët nëpër këmbë; aq më shumë që ekzistonin të gjitha mundësitë që të lija edhe jetën. Kështu, mes këtij malli të vrullshëm, që më përfshiu për momentin, sikur u lotova disi.

Pse, nuk ishte njoftuar familja për të të pritur?

Ç'thua?! Familja nuk dinte gjë dhe as që do të njoftohej. Unë njihesha si i arratisur dhe ky rol do të vazhdonte deri sa të merrej vendim qeverie për legalizim.

Pse, funksiononte rregulli për rastin tënd?

E para, se ishe në shërbim të Sigurimit dhe duhej t'i kishe bërë aq punë deri sa të dukeshe i persekutuar në opinion. Në ato momente Sigurimi mund të kishte nevojë akoma për të të dërguar në një vend tjetër. Pra, ishe gjithmonë në urdhërat e Sigurimit.

Që të mos e ndërpresim subjektin në mes, çfarë ndodhi në Rinas?

Një oficer, që na kontrollonte pasaportat te dera e avionit, më ndaloi. Unë nuk kisha pasaportë, por vetëm atë shkresën e ambasadës sonë në Paris se riatdhesohesha, dhe kaq. Oficeri e pa me vëmendje dhe më tha si me mospërfillje: "Sa po na lodhni edhe ju ballistët e arratisur, ngelët poshtë e lart avionëve. Por unë nuk të besoj dot me këtë dy gisht letër që ke ti. Prit aty njëherë apo mos ke njeri që të pret jashtë?"

"Po, do të kem dhe unë ndonjë mik"-i thashë. Nuk arrita të mbaroj fjalën kur dikush nga jashtë, që priste me një veturë, i foli oficerit në fjalë. "Lëre se është i imi ai!" Oficeri, kur dëgjoi këtë ndërhyrje, që nuk donte shumë që të kuptohej se ishte i dërguari i Ministrisë së Brendshme, më pa me vëmendje dhe i shokuar më tha: "Paske vërtet mik të fortë!" "Po unë të thashë që do ta gjejmë ndonjë", ia ktheva si me mburrje unë. Pas kësaj shkova te vetura, që më priste. Personi i ardhur ishte i dërguari direkt i ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut. Pas rreth gjysëm ore më vendosën në një vilë luksoze në Lagjen Laprakës në Tiranë. ty më kishin vënë roje, jo vetëm ushtarë, por edhe oficerë. Mbaj mend që oficerin kryesor, që e ngarkuan për të mbrojtur jetën time ishte një kapiten i parë nga Tropoja. Ishte burrë i mirë. Ai do të më furnizonte me gjithçka që kisha nevojë. Pas katër-pesë orësh erdhi vetë Kadri Hazbiu. Nuk e harroj dot atë çast kur u takova me atë burrë të lartë, që do të ngelet gjithmonë i lavdishëm. Dhe tani i kam në vesh fjalët e tij kur me lot në sy dhe duke më përqafuar më tha: "Hajde, Isuf Mullai se na ke nderuar ne dhe popullin tënd. Ti je i lumtur se ke sakrifikuar për njerëzit e tu. Të jemi shumë mirënjohës. Ta dish se të gjithë do të të respektojnë shumë për atë që ke bërë". Kështu vazhdoi rreth gjysëm ore takimi me të. Ai thirri edhe një herë oficerin e shërbimit dhe i tha se përgjigjej me kokën e tij për jetën time. Ndërsa mua më tha se nuk duhej të lëvizja nga vila deri sa të vendoste vetë Enver Hoxha për legalizim ose jo. Por fjala ishte për legalizim. Kjo bëhej se po të dilja, do të më shihnin oficerët e sigurimit apo të tjerë, që e dinin se isha i arratisur, do të kuptonin se kisha ardhur si diversant dhe do të më vrisnin menjëherë. Kështu që u mbylla në vilë ku ndenja jo pak, por plot një muaj. Por kur mendoja që familja më dinte në Bruksel, qaja. Ishte diçka, që dilte mbi ndjenjat njerëzore. (Përlotet)

Po në Bruksel, si e morën vesh që kishe ikur?

Ohu, kishin kaluar dhjetë ditë kur e morën vesh ata. Unë shtëpinë e kisha marrë në një lagje, që nuk kishte shqiptarë që të mos më kontrollonin lëvizjet. Kështu, kur unë isha në vilën e Laprakës, ata e dinin se isha në punë. Mirëpo unë kisha përgatitur një njeri tjetër për të vazhduar detyrën time, qoftë edhe misionin tim.

E kishit kompromentuar?

Po, ai ishte një shok shumë i mirë, që dikur ishte arratisur me të vërtetë se ishte zënë me Kiço Ngjelën dhe kishte frikë se mos e fusnin në burg. Mirëpo erdhi një moment dhe unë i thashë se kush isha dhe e angazhova, si shumë të tjerë, që të punonte për Sigurimin e Shtetit. Ai i kishte mësuar kodet dhe të gjitha mënyrat e ndërlidhjes dhe ishte shumë aktiv në veprimtari. Ky quhej Andon Konomi (personazhi i Andon Kumashit te romani "Mërgata e Qyqeve").

Si vazhdoi puna e tij pas ikjes tënde?

Ai e dinte që unë do të ikja dhe e kisha mbajtur disi larg që të mos binte në sy për lidhjet që kishim bashkë. Unë afër kisha mbajtur ata që ishin të betuar kundër shtetit tonë, me qëllim që mbi ata të binin dyshimet. Pas dhjetë ditësh, Andoni me disa shokë, gjoja për të më takuar mua, kishin shkuar te shtëpia dhe kur kishin parë gjithë atë rrëmujë, ishin habitur. Andoni, gjasme nuk dinte gjë, por bërtiste e shante më shumë. Kur panë që ishin marrë të gjitha dokumentet e Partisë, që tani ndodheshin në Ministrinë e Brendshme, lajthitën fare.

Dhe çfarë bënë?

Menjëherë bënë mbledhjen dhe analizuan punën time. Kush të më shante më shumë dhe kush të shfrynte më shumë. Por më ka ardhur mirë që ata që i kisha miq, edhe pse morën vesh për veprimin tim që isha në shërbim të Sigurimit, më mbrojtën. Thanë: "I lumtë, erdhi e u xhiroi ju syleshët për dhjetë vjet e u la petkat, ndërsa ju vazhdoni të akuzoni njëri-tjetrin se kush e ka mbajtur më afër. Të gjithë e kemi mbajtur. Madje, kur shkova sërish më 1999-n në Bruksel, se më kishte marrë malli për shumë prej tyre, më pritën me shumë respekt. Pastaj, që ta dish ti, në vendin tim kryetar dhe sekretar i partisë u vendos po njeriu që kisha përgatitur unë, pra Andon Konomi, që e mbajti jo pak, por plot 4 vjet deri sa mori urdhër, si puna ime, për t'u kthyer në atdhe në vitin 1981. Pra, deri në vitin 1981 vazhdonin të vinin të dhënat, njëlloj si me mua. Edhe atëhere erdhi dokumentacioni i partisë në Tiranë.

Kjo do të thotë se partia e Mbretit është drejtuar gjithmonë nga Enver Hoxha?

Pa tjetër! Dhe ata nuk kanë vënë mend, por vazhdojnë të bëjnë gjithmonë gabime.

(Qesh)

Pasi ju erdhët në Tiranë, si vijuan procedurat konkrete?

Hiç. Haja dhe rrija në ethe që të më jepej leja për t'u legalizuar. Pra, që të mos më thonin më që të shkoja në ndonjë vend tjetër dhe mos të shihja familjen me sy. Ishin momente ankthi të papërballushme.

Sa ndenjët në ilegalitet në Tiranë?

Që nga data 8 dhjetor, kur unë u vendosa në vilën sekrete në Laprakë, e deri më 20 dhjetor kam ndenjur në ilegalitet të plotë. Nuk kisha të drejtë të dilja dhe të njoftoja njeri.

Këto të drejta të ishin ndaluar me urdhër?

Jo, nuk ishte fjala e urdhërit, por jepeshin udhëzime nga funksionarët e lartë të Sigurimit dhe veprohej në emër të çështjes, që të ishte ngarkuar. Unë kisha të drejtë të kërkoja çfarë të doja dhe më plotësohej çdo nevojë që kisha. Atje, siç edhe ju thashë në intervistën e kaluar, kisha një roje nga Tropoja, që kishte gradën Kapiten i Parë dhe ai, sipas urdhrit të marrë nga Kadri Hazbiu, përgjigjej me kokë për jetën time. Po ai bënte furnizimet me ushqime apo çfarëdo tjetër që kërkoja. Kishte urdhër që të mos më linte të largohesha nga Vila, pasi unë quhesha "armik" dhe "i arratisur" dhe po të më shihte ndonjë i njohur, qoftë dhe kushëriri im, sikundër edhe ndodhi, mund të më vriste, pasi më konsideronte diversant?

Ju ndodhi që të dilnit në Tiranë gjatë asaj kohe?

Ndodhi. Më kishte marrë malli për çdo gjë. Kisha dhjetë vjet që isha larguar dhe doja të shihja kryeqytetin tim. Kështu, m'u tek për të dalë, dhe ashtu bëra.

Po oficeri që të kishin vënë për roje, si të lejoi?

Ai nuk më urdhëronte dot, por m'u lut se po të merrej vesh, do ta pushonin nga puna. Unë i thashë se nuk ka për ta marrë vesh njeri dhe të vinte me mua e të dilnim bashkë. Edhe po ta marrin vesh, - i thashë, - do t'i them unë ministrit që të të falë, por hajde tani. Do t'i, sa arritëm në krye të "Rrugës së Durrësit", na ndodhi e papritura. Aty na qenkej një kolonel i Ministrisë së Brendshme, i quajtur Aliko Shalari, i cili jo vetëm që më njihte se e kisha nga fshati, por e kisha edhe kushëri. Ai na pa me bisht të syrit dhe ecte, duke u hequr se nuk na kishte vënë re. Oficeri që më shoqëronte mua, u bë dyllë i verdhë se nuk e vinte në dyshim që do të informohej vetë ministri. Alikua menjëherë shkoi te Kadri Hazbiu dhe i raportoi, ndërsa ai i tha se pse nuk më kishte vrarë, pasi tani mund të isha larguar. Ku të më gjenin tani ata, që të më vrisnin. Pra, Kadri Hazbiu luante krejt "të paditurin" se ashtu e kërkonte puna. Ai fliste njëlloj sikur unë të isha armik i vërtetë. Për këtë, Aliko Shalarit i hoqi vërejtje të rëndë në dokumente, pra, që nuk kishte vepruar ndaj një tradhtari. Me vete Kadriu thonte: "Shyqyr që nuk më kishte ndodhur gjë".

Po oficerit, që të ruante ty, çfarë i bëri?

Po të ndërhyja unë, nuk kishte pse t'i bënte gjë.

Sa vazhdoi kjo situatë ilegale?

Unë të thashë diçka herën që kaloi. Do të merrej vendim qeverie që unë të shpallesha ilegal. Dhe për këtë vendim do të firmoste direkt vetë Enver Hoxha. Në të kundërt, do të vazhdoja veprimtarinë time të fshehtë, në interes të popullit tim. Ose mund të ndodhte edhe e kundërta, që të më kthenin në fshat, por të mos dekonspirohej që unë kisha qenë në shërbim të shtetit. Të thuhej vetëm se u pendua e u rikthye. Kjo do të ishte për mua më e vështirë, pasi do të përballoja edhe fyrjet në vazhdimësi, pasi do të jetoja si i deklasuar.

Pse, mund të bëhej një gjë e tillë?

Që të hiqesha si i pakënaqur dhe të isha në rezervë e të më jepej një urdhër i dytë në çdo rast, që mund të paraqitej situata.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë?

Mbaj mend datën 20 dhjetor 1964. Në Vilën time sekrete erdhi vetë Kadriu e më takoi. Kishin qëlluar shumë raste që ai vinte e takoheshim e bënim bashkë njëfarë bisede. Ai, sa hyri te dera, me një entuziazëm të dukshëm si në ditën (8 dhjetor) që u ktheva nga misioni i gjatë, më përqafoi me përzemërsi dhe më dha sihariqin e madh. "Isuf, kjo që ndodhi është një fitore e madhe. Shoku Enver të ka vënë notën "shkëlqyer". Po kështu edhe shoku Hysni, të njëjtën gjë ka shprehur për ty. Ndërkohë që dhe nga Mehmet Shehu janë dhënë mendime të mira. Të gjthë vendosën pa mëdyshje që ti të legalizohesh. Partia më ka urdhëruar mua të merrem me prezantimin tënd në popull. Të gjithë do ta marrin vesh që ti nuk e ke tradhtuar Atdheun, por ke qenë me detyrë. Ne do t'i themi popullit se "ky donte t'ju mbronte"."

Po ju, çfarë qëndrimi mbajtët?

M'u prenë këmbët dhe u ula në karrike, duke u dridhur nga emocionet. Jo vetëm hidhrimi, por edhe gëzimi i tepërt nuk u përballuakan dot nga njeriu. Isha i ulur në karrike dhe shihja Kadriun, që më fliste jo me pak emocion. Nuk e kisha kuptuar që buza më dridhej dhe lotët shpërthyen nga sytë. "Oh,- thoja me vete,- mbaroi edhe kjo mesele. Tani do të takoj fëmijtë e mi. Do të takoj gruan time të shkëlqyer, Reson, dhe do t'i kërkoj të falur për këtë vuajtje që i shkaktova. Isha i bindur që ajo, kur të mësonte se si kishte qenë puna, do të më falte gjithçka. Jo vetëm kaq, por do të krenohej me mua.

Pse, dhe sot jeni i bindur që keni vepruar drejt?

Unë kam sakrifikuar në emër të popullit tim dhe jo në emrin e këtij apo atij udhëheqësi. Ata përmendeshin se përfaqësonin shtetin dhe Partinë Komuniste. Unë kam sakrifikuar për këtë motiv, ndaj kam qenë dhe jam respektuar shumë, ashtu siç respektohem edhe tani nga të gjithë.

Pas legalizimit, si vazhdoi historia?

Kadri Hazbiu njoftoi menjëherë Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës ku edhe do të shkoja (se familjen e kisha në Fushë-Vërri të Sarandës) dhe dha porositë e nevojshme për të më shoqëruar dhe për të më prezantuar në fshat. Po ashtu, edhe nga aparati i Komitetit Qendror u dhanë porosi për Komitetin e Partisë të Rrethit (te sekretari i parë). Ndërkohë, ishte marrë edhe vendimi të dëmshpërblehej persekutimi i familjes. Pastaj, në emër të Ministrisë së Brendshme, Kadri Hazbiu caktoi të merrej me shoqërimin tim deri në fshat, një nga eksponentët kryesorë të Sigurimit të Shtetit të atëhershëm, kolonelin Kleanthi Andoni. U caktua pikërisht ai se kishte punuar në rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës dhe njihej atje si njeri shumë i nderuar.

Kur u nisët për në Sarandë?

Vazhduan dhe disa procedura të nevojshme dhe u nisëm në mbrëmjen e datës 28 dhjetor 1964 me dy makina tip Xhipa sovjetike, që i mbanin atëhere degët apo Ministria e Brendshme.

Pse dy makina?

Në njërën isha unë dhe përfaqësuesi i ministrisë, Kleanthi, dhe në tjetrën ishin rojet e armatosura me automatikë gati për zjarr. Ishin rregulla fikse për shoqërimin e eksponentëve të veçantë të Sigurimit.

Familja vazhdonte të mos dinte gjë?

Asgjë s'dinte.

Kur arritët në Sarandë?

Të nesërmen, në orën 08.00 ishim në qendrën e Sarandës. Zbritëm nga makinat dhe shkuam te Dega e Brendshme, e cila nuk ishte shumë larg prej aty. Me shërbim te sporteli i saj, pra oficer roje, ishte një kushëriri im i dytë, Kudret Veliu. Sa u afruam aty, ai shtangu kur më pa, aq sa nuk po u besonte dot syve. Megjithatë, çdo gjë ishte ende e pasqaruar. Unë njihesha si i arratisur dhe, vetëm kaq. Mund të mendohej që unë paraqitesha vetë për t'u dorëzuar apo kushedi thjetër. Kështu që, Kudreti nuk dinte si të vepronte. Në atë moment ndërhyn Kleanthi Andoni dhe i kërkon të hynin brenda. Kudreti nga që ishte hutuar, megjithëse e njihte Kleanthin, i tha që të priste. "Po këtë fshatarin tënd, pse nuk e takon?", i tha Kleanthi. "Nuk e njoh dhe nuk kam të bëj fare me të"- ia ktheu Kudreti, jo pa nervozizëm. Kishte të drejtë ai, nuk dinte si të vepronte. Ndërkohë unë qesha dhe i them Kleanthit që jo vetëm ishim nga fshati, por ishim dhe kushërinj. Por ky i doli situatës së vështirë përpara dhe i tha që të njoftonte kryetarin e Degës për prezencën e tij atje. Kryetar ishte koloneli Dhosi Pecani, i cili sa u njoftua, urdhëroi që urgjent të lejoheshim për t'u futur brenda. Kur hymë, ai më priti me buz në gaz dhe pa e bërë të gjatë, m'u lëshua, duke më përqafur dhe duke më thënë se i kisha nderuar, se kisha kryer një akt të lartë etj., etj. Mirëpo policët dhe oficerët që e kishin parë që nga korridori skenën sesi kryetari i tyre u përqafua me një të arratisur, nuk po kuptonin asgjë. Kjo, për faktin se nuk kishin shumë informacion sesi vepronte Shërbimi Sekret i Sigurimit. Kryetari porositi kafetë, që i pimë në zyrë dhe ndërkohë njoftoi sekretarin e parë të Rrethit për mbërritjen time. Pas kësaj, të tre siç ishim, u nisëm me këmbë për te zyra e sekretarit të parë të Partisë. Kur na pa efektivi i Degës ashtu të qeshur dhe me duar në qafë, u shokuan fare. Në ato momente unë, sapo dola te porta e oficerit të rojes, shkova te Kudret Veliu dhe i dhashë dorën, duke i thënë që të mos kishte frikë se nuk i ndodhte gjë po të më takonte. Ai që e kishte kuptuar ndërkohë gjthë lojën, më takoi i lehtësuar. Pastaj të tre kaluam mes për mes Sarandës për të arritur te sekretari i parë i Partisë (nuk më kujtohet emri i tij), në zyrën e të cilit kishte ardhur edhe kryetari i Komitetit, Miho Xhani. Takime, mall, superlativa për mua etj. Kjo ishte si të thuash fillimi i prezantimit tim. Pra, të takoja njëherë autoritetet, që të merrej vesh nga të gjithë se ishte në dijeni shteti për praninë time aty dhe të mos konsiderohesha i dyshimtë. Aty nga ora 11.30 u nisa për në fshatin tim. Nuk të tregoj më se çfarë ndjeja për fëmijët, se ndoshta e teprova ca. Ishim unë, Kleanthi, kryetari i Degës së Brendshme, Dhosi Pecani, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Miho Xhani, i cili po të kujtoj se kishte një autoritet të jashtëzakonshëm në popull dhe makina me rojet, që na shoqëronte që nga Tirana. Gjithsej, 5 makina të vogla. Ndalesën e parë e bëmë në fshatin Vergo ku ishte dhe qendra e kooperativës së atëhershme. Që andej s'ishte më shumë se gjysëm ore fshati i Fushë-Vërrisë ku kisha gruan, babanë dhe djalin, që se kisha parë kurrë, pra, Luanin.

Pse fëmijët e tjerë, ku i ishin?

Dy më të rriturit, Nezaqeti dhe Kujtimi, ishin në klasën e gjashtë dhe të shtatë, në shkollën e fshatit Vergo, ndërsa Luani ishte në klasën e tretë fillore, në shlollën e fshatit.

Ku shkuat në Vergo?

U futëm në lokalin e kooperativës, në qendër të fshatit. Banakieri kur na pa, u befasua. Unë, armiku, po u shkoja i shoqëruar me autoritetet më të larta të rrethit. Aty mora vesh se banakieri, që quhej Jani Çapeqi, ishte edhe sekretari i Partisë së kooperativës. Si hymë brenda dhe zumë vend në një tavolinë, autoritetet e rrethit porositën e tavolina u mbush plot. Ndërkohë, i thanë sekretarit të Partisë që të më takonte se isha njeri shumë i nderuar. Ai nuk i mbajti dot lotët. M'u lëshua si të isha vëllai i tij. Ishim bahkëfshatarë dhe kishim jo pak mall. Nuk kaloi shumë dhe ja behu fshati në derë. Të gjithë kush të më shihte më parë. Ishin çaste të papërsëritshme. Unë isha tepër i emocionuar dhe nuk po flisja dot. Lotët më ishin bërë si komb te fyti dhe nuk më linin të shprehesha. Njerëzit ishin brenda dhe jashtë lokalit dhe kur nuk mundeshin të më përshëndesnin, ma bënin me dorë. Në atë çast, kryetari i Komitetit, Miho Xhani, njoftoi në fshatin Fushë-Vërri kryetrin e kooperativës që të ndërpriste punën në të gjitha brigadat dhe gjithë fshati të dilte e të priste birin e vet, Isufin, që po kthehej me shumë lavdi. Ndërkohë, dërgoi njerëz që të merrnin fëmijët nga shkolla se u ishte kthyer babai nga jashtë shtetit. Fatos, më kupto, ishin momente të vështira për mua. Ata të gjithë më trajtonin jo vetëm si një Hero, por dhe si një njeri që deri në ato momente më kishin konsideruar të vdekur, pasi nuk u shkonte mendja që do të vinte një kohë që të kishin rast e të më shihnin. Mora vesh ndërkohë se katër muaj më parë vajza ime, që kishte qenë me nota të shkëlqyera, ishte vënë në tabelë të nderit, por pse kishte babanë të arratisur, kishte dhënë urdhër organizata e Partisë që të hiqej nga tabela dhe drejtorit të shkollës, Taso Xuxi, i cili e kishte bërë këtë veprim për vajzën e armikut, i ishte hequr vërejtje e rëndë me shkrim.

A erdhën fëmijtë?

Në momentin që m'i sollën, isha rrethuar nga njerëz, që nuk dinin si të më falenderonin. Të gjithë shprehnin mall dhe simpati. Të gjithë më flisnin me një dhemdshuri të jashtëzakonshme. Kur kujtoja që për dhjetë vjet na kishin sharë dhe fyer, jo për faj të tyre, nuk e parballoja dot emocionin. Sa erdhën fëmijtë, të cilët e panë babanë e tyre, që ua kishin sharë gjithmonë, e në mes të asaj morie njerëzish po nderohej si rrallëkush, nuk po u bënin këmbët për të lëvizur. Të gjithë hapën rrugën dhe lanë vend për fëmijtë, që të më afroheshin. (Ndalon bisedën, mallëngjehet …, përlotet…) Të dy, Nezaqeti dhe Kujtimi, ishin 13 dhe 14-vjeçarë. I kisha lënë 3 dhe 4-vjeçarë. Rrinin si të shushatur. Të gjithë njerëzit nuk e mbanin dot të qarët, nga emocionet që po përballonin. Vajza u mblodh disi dhe psherëtiu: "Babi!". Ç'babi zeza, thoja me vete. Babi u la në mes të katër rrugëve. I mora, i përqafova fort mes lotëve, që nuk mundohesha t'i mbaja më. Nuk i lëshoja nga duart. Ç'dhembje që ndjeja në shpirt; mund dhe të mos u isha kthyer i gjallë për detyrat që mora mbi kurriz. Pastaj, si mblodhëm veten, i mbajta të dy në të dy gjunjët, ashtu siç isha ulur në karrike. Njërin në një këmbë dhe tjetrin në këmbën tjetër. Ata vazhdonin të më shihnin dhe nuk ngopeshin. Ishin gati të më përpinin. Nuk u besohej që unë, babi i tyre, isha tani para dhe më preknin me dorë. Në atë moment ndërhyn Miho Xhani, duke u folur fëmijve që ta dëgjonin edhe njerëzit mesazhin e tij. "Babai juaj ka nderuar, jo vetëm ju, por edhe fshatin, të gjithë ne. Ai sakrifikoi çdo gjë, dhe ju, për të mirën e njerëzve. Të gjithë ndjehemi krenarë me aktin e tij", e fjalë të tjera si këto. Pastaj, ashtu siç ishim, u nisëm për në fshatin tim në Fushë-Vërri, që siç të thashë, nuk ishte më larg se gjysëm ore. Njerëzit na përcillnin me shumë emocion. Aty do të shihja për herë të parë edhe Luanin 9-vjeçar.

Njerëzit e lajmëruar po të prisnin?

Ne, si u afruam afër fshatit, pamë që larg se në hyrje të tij kishin dalë të gjithë sa që si i thonë fjalës, nuk i kishin lënë as macet në shtëpi. Në shtëpi kishte ngelur vetëm gruaja ime, e cila kishte qenë shumë e prekur dhe nga emocionet e tepërta nuk kishte mundur të dilte e të më priste. Ajo, siç ma tregoi vetë më pas, kur dëgjoi se në fshat po arrinte Isufi, i shoqëruar nga njerëzit më të lartë të Shtetit, s'kishte dashur ta besonte. Ajo, që kishte përballuar për dhjetë vjet diskriminimin, befasisht ishte kthyer në një njeri të privilegjuar. "Kur të gjithë njerëzit në fshat, - tregoi ajo, - po linin çdo gjë që kishin në dorë për të dalë në hyrje të fshatit me thirrjet: "Po vjen Isufi nga jashtë shtetit!" ose "Dil, moj Reso, se po të vjen burri me lavdi!"… E, ç'ta zgjasim, në hyrje të fshatit kur pashë që nga larg gjithë njerëzit, që mezi prisnin të më shihnin dhe të më takonin, ndalëm makinat dhe që së largu filluam të afroheshim në këmbë drejt tyre. Çdo gjë u kthye në vaj. Të gjithë qanin. Nuk ua kishte marrë mendja që unë të kisha shkuar me detyra shtetërore. Kthimi im u ishte dukur krejt befasues. Aq më shumë që po më shoqëronin njerëzit më me autoritet dhe më me respekt të Shtetit dhe ndërkohë, nga larg ishin njerëzit e armatosur, të ardhur që nga Tirana. U putha me të gjithë me një mall që nuk do të ta shpjegoj dot. Të gjithë nuk më lëshonin, por donin të më shtrëngonin sa më shumë. Ato momente më kanë bërë të ndjehesha krenar për atë çka kisha marrë përsipër.

Po gruan, ku e takuat?

U nisa drejt shtëpisë, duke pasur të ngjitur pas krahut babanë tim, i cili nuk po e mblidhte dot veten, por qante si fëmijë nga që, siç thoshte edhe vetë i se i ishte ngjallur sërish djali. Ai ndjehej krenar për mua, edhe për faktin se para njerëzve, të cilët më kishin sharë, isha i nderuar. Me shikim dukej sikur u thonte: "E shikoni, që djali nuk është siç keni menduar ju?". Fëmijët nuk më shqiteshin nga duart. Ishte momenti më i lumtur, që kishin provuar ndonjëherë që kur kishin lindur, pasi nuk kishin pasur rast të provonin se ç'ishte gëzimi. Ndërsa ecja, duke u shoqëruar nga turma e pambarimtë e njerëzve, u afrova te oborri i shtëpisë, në derë të së cilës më priste Resua me djalin për dore, Luanin. Në atë moment të dhimbshëm i hodha duart në qafë dhe mbaj mend që i thashë: "Tani i mbaruam të gjitha, kaluan mometet e vështira, mos u mërzit më. Në momentin që mora në dorë djalin, që s'e kisha njohur kurrë, të gjithë që ishin përreth, filluan të qanin me zë. (Përlotet)

Po më pas?

U bë darkë e madhe me mbi 200 veta. Thereshin bagëtitë në radhë dhe të gjithë njerëzit të entuziazmuar bënin garë se kush të fliste më shumë e kush të më mburrte më shumë.

Po ju çfarë bënit?

Ç'të bëja?! Thoja se nuk kisha bërë ndonjë gjë të madhe, por vetëm detyrën.

Kur u larguan autoritetet, që të shoqëruan?

Të nesërmen në drekë, ndërkohë që iu la porosi operativit të zonës që të më kishte në ruajtje të plotë.

Kur e filluat punën?

Sipas porosive, kisha të drejtë të bëja një vit leje. Pushim absolut, për t'u çmallur me të gjithë dhe për të çtensionuar nervat, që i kisha pasur në tension për dhjetë vjet. Por unë ndenja vetëm 6 muaj pushim dhe kërkova të filloja punë se nuk rrija dot kot, duke e marrë rrogën në shtëpi. Pas kësaj, pikërisht më 15 qershor 1965, më kanë caktuar në Durrës me detyrën e shefit të Zyrës së Pritjes së Turistave në hotelin-turizmin "Adriatik". Ajo ishte një detyrë specifike e Sigurimit, pasi unë kisha detyrë të evidentoja njerëz të dyshimtë, që nuk vinin si turistë, por për qëllime armiqsore. Në atë detyrë ndenja deri më 1 maj të vitit 1984 kur dola në pension.

Po pasi dole në pension dhe pas viteve '90, kur shumë nga ata, që i kishe pasur objekt të punës tënde në Bruksel erdhën në Shqipëri, ke pasur probleme kërcënimi?

Po. Ka qenë 2 gushti i vitit 1993 kur disa autoritete të larta të Partisë së Legalitetit, përfshi edhe Abedin Mulosmanin, kishin ardhur në Durrës e më kërkuan takim.

Zoti Isuf.Në intervistën e mëparshme kujtuat se pas vitit 1990, kur në Shqipëri u lejua lëvizja e lirë për emigrantët, keni pasur probleme kërcënimi me legalistët që kanë qenë objekti i punës suaj në shërbim të sigurimit në Bruksel. Mund të shpjegoheni më qartë se si ka ndodhur?

Ka pasur. Ishte vetëm një rast që mund ta marrësh si të duash, qoftë si kërcënim, qoftë si tentativë. Por që të shpjegohem më qartë, ashtu siç më the dhe ti, dua të theksoj se unë personalisht gjithmonë kam qenë i qetë dhe nuk kam pyetur fare, qoftë atëherë që kam qenë në Bruksel, qoftë pas viteve '90-të, kur ata mundën të vinin lirisht në Shqipëri.

Ku e ke gjetur këtë qetësi?

Sepse unë, nisur nga interesa personale, s'i kam rënë askujt në qafë dhe nuk kam pasur asnjë inat me njeri. Në qoftë se kam punuar, e kam bërë me bindje dhe kam punuar në emër të popullit tim. Për këtë lashë vetëm në mes të katër rrugëve fëmijët e mi dhe ndjehem krenar për atë që kam bërë. Kështu që përderisa unë nuk pendohem aspak dhe nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë, si mund të kem frikë? Ata janë ashtu siç i kam shpjeguar unë. Erdhën në atdhe dhe u larguan prapë. Ku i ke ata që prisnin me padurim të fitonte demokracia, pse nuk vijnë më, por rrinë akoma në Bruksel?

E keni fjalën për të gjithë legalistët?

Jo, aspak për të gjithë. Mes tyre kishte njerëz shumë të mirë dhe ngelën të tillë në çdo kohë. Ishin demokratë me vlera të mëdha dhe jo si disa që janë pinjoll të shumë shërbimeve të huaja, aq sa nuk u digjet barku fare për Shqipërinë, por për rroga që marrin në të 14 anët. Ato të mos m'i tregojnë mua, se unë i njoh shumë mirë dhe e di mirë kush janë, madje këtë nuk e di vetëm unë…!

Po për Leka Zogun e keni këtë mendim?

Ç'ke me Lekën e shkretë. Ai nuk është i këtyre sferave, por duhet të dijë çfarë ndodh rreth tij dhe jo të tregohet vetëm tip babaxhani, se po të kishte gjallë të atin, nuk do t'ia miratonte pothuajse fare rrugën diplomatike që po ndjek në emër të fronit.

Ju lutem shprehuni më qartë?

Akoma më qartë e doni? Po ta përsos, se Leka Zogu nuk është i këtyre kallëpeve, por përdoret nga të tjerët për qëllimet e tyre. Ai duhet të dijë se të gjithë shohin interesat e tyre dhe nuk u intereson aspak qëllimi i tij. Mafiozët politikë dhe ekonomikë kanë një natyrë që të mbushin mendjen se pa të nuk mund të bësh dot asgjë.

Po për rastin e kërcënimit?

Ishin ata tipat që thashë. Erdhën të karikuar se kushedi ç'do të më bënin apo ç'do të më punonin. Madje e treguan dhe fytyrën me mënyrën se si u paraqitën. Mbaj mend që ishte 2 gushti i vitit 1993. Më ka trokitur dera aty nga ora 14.00. Dola ashtu siç isha në shtëpi me tuta, pasi kujtova mos ishte ndonjë komshi. Kur hapa derën, pashë që pas saj më shfaqet kryekamarierja e hotelit "Adriatik", ku kisha punuar unë, dhe një burrë në moshë shumë të re që dukej tip energjiku, por edhe me njëfarë kulture në vetvete. Urdhëroni - u them. Në atë çast vura re se kamarieria, që e kishte nuhatur që nuk ishte një takim i thjeshtë, ishte bërë flakë e kuqe dhe binte në sy menjëherë.

Ju e njihnit kamarieren?

Po. Ajo ishte një nga tre-katër gratë që kishin mbetur që nga periudha që kisha punuar unë, pasi në kohën e qeverisjes së Berishës ishte bërë një reformë e thellë në personel të hotelit. Madje mbaj mend që quhej Shpresa Shore dhe ishte gruaja e një oficeri. Personi në fjalë më thotë që kishte ardhur me kamarieren, se më kërkonin në takim disa nga miqtë e mi nga Kosova, që i kisha pasur kur isha në Bruksel. "Po ju kush jeni?" - i them. Unë jam shoferi - më tha. "Kush janë këta miq - vazhdova unë - pse nuk erdhën në shtëpi? Unë kaq di të them, që ata nxitonin dhe nuk kishin kohë për të bërë vizita, por më thanë që mund t'ju marr me makinë dhe t'ju çoj te kafja ku ndodhen" - këmbënguli tipi i panjohur që më vonë mora vesh se s'ishte shoferi, por kryetari i Partisë së Legalitetit për Tiranën. Unë e kuptova që po të ishin miqtë e mi, pse duhet të vinin pa u identifikuar dhe pse të mos vinin në shtëpi. Kuptova se nuk kishte diçka të dyshimtë, por flitej për një kërcënim të hapur. I them se ishte kohë dreke. Po qe se janë miqtë e mi, të vijnë në shtëpi, unë nuk do të dal para orës 17.00. Pra, po të duan, ose të presin, ose të vijnë në shtëpi. Po qe se janë miq, nuk kanë ardhur për të ikur me vrap - vazhdova pastaj si me provokim unë. Ku do ta lini takimin? - më tha.Te kafja e hotelit ku po më presin dhe tani - ia ktheva. Të vij unë të të marr, ç'ke ti, nuk më bezdis - tha prapë i panjohuri. Në atë moment ndërhyri Shpresa (kamarierja), që kishte ndenjur si e ngrirë deri në atë çast. Po ti shef hajde vetë me makinën tënde, pse t'i lodhësh kot këta zotërinjtë. Ai ishte një mesazh i hapur që të mos hipja në makinë se rrezikohesha, pasi unë nuk kisha makinë dhe ajo e dinte shumë mirë. Dakort, - i fola të panjohurit për të mbyllur takimin.

Nuk e kuptuat se kush kishte qenë?

E nga ta kuptoja? Ata nuk erdhën si burra që të thoshin se "jemi filani dhe filani, kemi ardhur të të takojmë, të presim në këtë orë…" etj., por erdhën: jo jemi miq, jo nuk kemi kohë, e të tjera budallallëqe që u shkojnë për shtat vetëm njerëzve që nuk kanë burrëri.

Si erdhën te ju?

Një orë para se të vinin në portën time, kishin shkuar te hotel "Adriatiku", ku kisha punuar unë. Më kërkuan aty, se e kishin mësuar që unë kisha punuar në atë hotel. U thanë se nuk isha aty, pasi kisha dalë në pension disa vite më parë. "Kush ia di shtëpinë të na e tregojë, se jemi disa miq kosovarë që jemi njohur që kur ka qenë në Bruksel." - thanë ata. Mirëpo shtëpinë time nuk e dinin se ishin të rinj, pasi të gjithë që kishin punuar në periudhën që kisha qenë unë, ishin pushuar në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Në atë moment rastisi Shpresa që kishte qenë kryekamariere që në periudhën tonë dhe u thotë se e dinte ajo. Kjo për faktin se mua më kishin ardhur shumë herë miq nga Kosova. Po s'e pate bezdi - i thonë - mund të shkosh me këta persona në makinë dhe t'ua tregosh? Mirë - ua kish kthyer ajo. Mirëpo siç më tregoi më pas, rrugës ajo u kishte parë fotografinë e mbretit dhe kishte kuptuar se nuk ishin kosovarë, por legalistë që po më vinin për kërcënim. Ishte prerë që nga ai moment, se po bëhej ajo shkak që po u tregonte shtëpinë. Në makinë para pallatit ndenjën dy burra, ndërkohë që njëri me kamarieren u ngjit te dera e shtëpisë, ku, siç të thashë, u paraqit si shofer.

Çfarë bëtë pas kësaj?

Në shtëpi mendoja me vete se kush mund të ishte dhe pse vinte në këtë formë. Kisha dy orë kohë dhe po mendoja e mendoja. Kë nuk solla në mendje.

Patët frikë?

Aspak. Nuk ta them për t'u mburrur, por po të them që nuk e kam njohur frikën kurrë. Pastaj të bënin ç'të donin, unë i kam bërë ditët dhe nuk pyes për gjë.

Nuk i kërkuat njeriu ndihmë për të mos qenë i vetëm?

Në shtëpi kisha djalin, Luanin, por nuk i thashë as atij, se është shumë nevrik, dhe as ndonjë tjetri se s'dihej çfarë ndodhte. Pastaj unë nuk ua kisha lënë kot takimin në hotel, pasi e dija që aty kishte përgjues në mure, se i kishim vënë vetë. Kështu që çfarëdo që të ndodhte, do të incizohej.

 

Shkuat në orën e caktuar?

Dola gjysmë ore para dhe pashë me vëmendje se mos kishte ndonjë njeri të dyshimtë jashtë shtëpisë. Hipa në autobus duke qenë shumë i vëmendshëm dhe kur shkova te hoteli, nuk ndenja pa ardhur një herë rreth e rrotull se mos shikoja persona që më prisnin. Në orën e caktuar hyra brenda në holl dhe u drejtova për nga "bari". Në lokal ishin rreth 50-60 klientë. Në një cep konstatova personin që më ishte paraqitur si shofer te shtëpia, i cili u ngrit në këmbë dhe erdhi menjëherë drejt meje për të më çuar te tavolina e tyre. Kur shkova, vura re se kishin zënë një komplet kolltuqesh në një kënd dhe po rrinin të gjithë të menduar. U afrova me gjakftohtësi dhe serbes. Menjëherë vura re se ishin ulur sipas radhës Skënder Zogu (nipi i Ahmet Zogut), Abedin Mulosmani, Ylli Spahia dhe tre-katër të tjerë që unë nuk i kisha njohur. Më pas mora vesh se njëri ishte kryetari i përgjithshëm i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Të gjithë rrinin serbes pa m'i hedhur sytë, madje edhe pa më begenisur të më shikonin. Në ato momente më hipi një inat i brendshëm, që thashë se do t'i shpartalloja fare. Më hiqeshin si diplomatë dhe haheshin me një zbulues të nivelit ndërkombëtar. I thashë vetes: "Mblidhu dhe mos i fal." Personi që u çua, më tha që të ulesha te vendi i tij. Dale një herë i thashë, më prezanto se më the që janë miqtë e mi kosovarë. Kush janë se unë nuk i njoh këta. Ai u gjend keq dhe u skuq. Nuk ishte pa kulturë. Ky - tha, duke treguar personin përballë, - është Skënder Zogu. Po ky tjetri - i thashë. Ai nuk foli se kuptohej që për aq e kishte urdhrin. Mirë, i thashë, s'ka nevojë t'i prezantosh se ndoshta kështu të kanë thënë. "E dinë vetë ata se cilët janë" - ua thashë jo pa kuptim. Thashë njëherë të iki e t'i lë kështu fare nga inati, pasi më afrojnë për të biseduar dhe nuk flasin si burrat, por si afije. Megjithatë doja dhe të rrija, ashtu siç bëra, që të ballafaqohesha me ta dhe t'ua tregoja në sy se kush ishin dhe se s'i kisha frikë fare. Kështu i zgjata dorën Skënder Zogut të parit dhe i thashë: Si je Skënder? Por ai nuk ma zgjati dorën, duke më thënë që nuk ia jepte dorën një njeriu që kishte lyer duart me gjakun e mbi 300 shqiptarëve. Kjo më revoltoi më tepër dhe iu ktheva. Po të kisha vrarë, do t'ju kisha vrarë juve të parin, se e dini mirë kush keni qenë, por ç'ti bëj që kishit miq të fortë. Pse, kë kishim miq ne - më tha. Kishit Enver Hoxhën - iu përgjigja - pasi unë vetë kam dashur t'ju zhdukja, por kur i kërkova leje Tiranës, më erdhi përgjigjja urdhëruese me "Jo" të prerë. Dhe kjo përgjigje në Tiranë duhet ta dish se jepej nga Enver Hoxha. Ti më thirre në tavolinë dhe nuk pate burrërinë të thoshe emrin dhe tani nuk do të japësh as dorën, - i thashë me forcë! Dëgjova njërin nga mbrapa që më foli në emër, duke më thënë që të flisnim më ngadalë dhe të merreshim vesh më mirë. Kuptova që ai, si shumë të tjerë, ishte i SHIK-ut dhe kjo gjë më pëlqeu që ndiqej nga shteti gjithë biseda jonë. Unë atë doja, që t'ua nxirrja të palarat në shesh, pasi ashtu po e bënin veten. Ti, Isuf Mullai, na preve në besë - vazhdoi pas kësaj ai. Unë nuk ju kam dhënë ndonjë besë juve - i thashë - atë ia kam dhënë vetëm popullit tim, dhe me të e kam mbajtur.

Pse erdhe atje ku ishim ne? - vazhdoi sërish Skënderi. Akoma s'e ke marrë vesh se përse erdha? Erdha në emër të popullit tim - ia ktheva me të njëjtin inat, duke vazhduar të rrija në këmbë, ndërkohë që kolltuku ishte bosh, pasi dhe personi që më prezantoi rrinte në këmbë. Pas kësaj u ula dhe u ktheva nga të gjithë me një revoltë të madhe: Urdhëroni ju që më thirrët, çfarë kishit, pse më kërkuat? Në këtë kohë e rimori fjalën sërish Skënderi: Je penduar për ato që bëre? Aspak - ia ktheva - çdo gjë që kam bërë, e kam bërë me ndërgjegje dhe s'i i kam rënë njeriu në qafë. Po të qe ndryshe, të parit që do t'i kisha rënë në qafë do të ishit ju, se e kini bërë hak kushedi sa herë. Ti erdhe si kryetar i Legalitetit në Belgjikë - vazhdoi të ndiqte me këmbëngulje Skënderi bisedën, - nuk ishte e rënë në qafë kjo? Jo vetëm kaq - e plotësova unë - por edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Legalitetit dhe isha që në Kongresin e Parë, që ta dini mirë, dhe jo në atë të 12 -tin, siç jeni vendosur juve, dhe vini të më shisni mend tani se jeni të legalitetit. Kështu si po më flisni juve, i thonë hajde baba të të tregoj arat. Dhe kujt, mua, që ju njoh dhëmbë dhe dhëmballë. Pastaj, ti zoti Skënder duhet ta dish mirë, se unë të kam syrgjynosur nga pallati mbretëror dhe sa isha unë, ti nuk puthje atje. Ti nuk e ke pasur qejf Lekën që kur ka lindur, pasi humbe shanset për t'u bërë mbret. Por ato idera ti i ke pasur dhe kur ishe në Paris. Unë e kam mbrojtur princin dhe jo ti, kuptoji vetë të tjerat. Ti e di mirë që unë kam pasur mik shumë të afërt dhe Abaz Kupin, dhe ai i tillë mbeti gjithmonë për mua. Në këtë moment, si me një agresivitet të madh, hidhet Ylli Spahia që mbante gradën Major, që kur ia kisha dhënë unë kur kisha qenë kryetar në Belgjikë, njëkohësisht ishte shef i Sigurimit të Oborrit. Më kishte thënë disa herë babai, se Isufi duhet të jetë njeri i Enver Hoxhës dhe jam bërë gati dy herë ta vrisja mu në mes të Parisit.

Unë qesha me Yllin dhe thashë që e bëri hak që ta digjja fare dhe iu ktheva: Rri o Ylli mos fol gjatë me mua se nuk të shkon. Apo kujton se s'të njoh kush je. Kam pasur respekt për babain tënd, Nezirin. Ishte burrë i mirë. Ai më tha të të jepja dhe një gradë ty, kështu që gradën Major e more me dekretin dhe firmën time që 22 vjeç dhe akoma me atë je. Edhe për nusen që more nga Kosova, vajzën e Muharrem Bejës, isha unë krushqari. Ti tani më shitesh ndryshe. Pastaj më me inat thashë që ta dekonspiroja fare, pasi s'i kisha asnjë faj. "Si janë Korabi, Lulja dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes?" Ai me gjysmë zëri tha: "mirë janë". Këtë përgjigje e dëgjuan të gjithë. Po mirë të gjitha more Ylli, po harrove vitin 1980 kur erdhe në Shqipëri? Unë s'kam ardhur ndonjëherë në Shqipëri - kërceu ai në atë moment. Jo ore, nuk ke qenë - ia ktheva sërish unë. Nuk ke qenë ti bashkë me Mustafa Nuhin në hotel "Adriatiku" me grupin francez të bujqësisë? Nuk ke qenë ti në dhomën 215, kati i tretë? Mos kujtoni se ikët pa u lagur? Por ja, ne që ju dukemi të rrezikshëm, ju lamë të iknit prapë, se përse, e di ti vetë. Pas kësaj fjala iu vërtit në gojë, ndërsa unë, kur e pashë që donte të fliste akoma, i thashë që ta linte muhabetin dhe të mos e zgjaste më, se do ishte më keq për të pastaj. Në atë moment ndërhyri Gazidede, sikur çfarë do të thoshte, por unë nuk e njihja dhe i thashë menjëherë: Rri ore ti aty, ku merr vesh ti nga këto punë.

Pastaj ndërhyri Abedin Mulosmani që ishte ministër i Oborrit duke thënë, që ju të Sigurimit keni bërë 101 të këqija, na keni vrarë dhe na keni prerë. Ne mund t'jua kishim bërë të gjitha, se e thashë që në fillim që e kishit bërë veten shumë herë, por ja që jeni dhe tani bilbiloni. Pra, që ju jeni këtu, do të thotë se ne nuk ju kemi vrarë. Por unë e thashë se ju ka mbrojtur Enver Hoxha. Ne nuk mund të na mbronte Enver Hoxha - tha Abedini. Ehu, unë nuk merrem dot me ju që e lexoni gazetën në një anë - i thashë. Dhe ta dish ti, Abedin Mulosmani, se kam ikur unë nga Belgjika që ke marrë atë vend ti, se po të mos kisha ikur, ti nuk i afroheshe dot as për 100 vjet atij. Unë e di mirë biografinë tënde dhe të Çedo-Mihaloviçëve të tu. Në atë moment, Abedini shpërtheu me inat: Ju të tërë jeni spiunë të Enver Hoxhës. Por edhe unë po me të njëjtin inat iu ktheva. Abedin Mulosmani, ne kemi qenë të Sigurimit Shqiptar dhe kemi firmosur vetëm për Sigurimin Shqiptar dhe në emër të popullit shqiptar. Nuk jemi si ju, që e di mirë ti se në sa vende keni firmosur, apo s'jua dinë të tjerët dhe kujtoni që nuk jua di as unë. Ju merrni rroga në shumë drejtime dhe jeni agjentë të shërbimeve të huaja. Edhe po ta mbuloni juve, keni firmat e lëna andej-këtej që flasin. Po deshe që të ta provoj, jam gati, prandaj mos më shisni mend mua. Në këtë moment u çova dhe ika në shtëpi, duke i lënë ashtu siç i gjeta, të kapardisur kot së koti për të gjetur ndonjë që t'i shisnin mend se ishin ata gjithçka.

Kthehu ne fillim

 

 

  

powered by Beepworld