TINGËLLIMË E NDJESHMËRISË E POETES ELIFE LUZHA

 

 

VDEKJA E DITËLINDJES

 

 

 

ELIFE LUZHA

 

 

 

 

TINGËLLIMË E NDJESHMËRISË

 

     Libri “Vdekja e ditëlindjes” e krijueses Elife Luzha është  libri i tretë me poezi dhe njëkohësisht është befasia e tretë që i sjell lexuesit. Origjina e frymëzimit të saj vazhdon duke u mveshur edhe më estetikisht ashtu si vjen bota e saj ideore duke u zgjëruar. Në këtë përmbledhje vjershash kjo krijuese del edhe më kërkuese ndaj vetes dhe arrinë të njësoj lexuesin me poezinë e saj duke e gjallëruar dhe nxitur estetikisht nëpër gjithë situatat dhe çastet e saj të frymëzimit. Poezitë e këtij libri vijnë si një tingëllimë e ndjeshmërisë së saj, e cila në këtë rast mund të identifikohet si një shenjë e afinitetit krijues të saj. Kjo shënon një avansim të autores si një krijuese që procesin e shkrimit tanimë e merr si një prodhim të nevojës së botës së brendshme, si një prodhim të konceptit të saj për të dhe njëkohësisht kjo shënon një stad të vetëdijës së saj letrare që gjithësesi tani është i formësuar. Në libër hetohet një shqetësim përmanent që kalon vazhdimisht në krijim, në prodhimin e materializuar të ndjenjës duke bartur ide të veçanta. Gjithçka që e turbullon ose e gëzon autoren, paraqet frymëzimin e saj. Jeta, vërshuese me befasitë dhe të papriturat e saj, klima shoqërore shpesh edhe si produkt i së kaluarës, vetmia e dhembja i krijojnë një hapësirë medituese që e bën të asociacionon në shumçka kuptimisht poezia e saj. Natyrisht kjo është një përparësi për librin. E veçanta e librit është këmbëngulësia e autorës që ta thotë të tërën, gjë kjo që në shumë raste e sforcon paraqitjen krijuese të saj  duke bërë edhe ndonjë përgjithësim, por kjo më tepër mund të merret edhe si një segment i pasionit të padëgjueshëm për komunikim me lexuesin. Poezitë tregojnë ndjenën e fortë të kujtimit për vendlindjen, të dashurëve dhe forcës së bukurisë së jetës dhe natyrës. Rrethanat dhe kryengritësia ndaj tyre, janë një pjesë tjetër e kësaj bote poetike, si gjendja e caktuar ndenjësore  në përceptimin e caktuar ndjenjësor, në përcaktimin e rrjedhës së kohës dhe inatit të njerëzve në të (korbat, zvarranikët, lukunitë), janë qeniet  që kohës nuk i përballojnë dot. Disa nga poezitë janë shenja kujtesore të përjetimeve subjektive  (Njeriu perendi apo poezia (Të pagjeturit), duke reflektuar ndjeshmërinë e saj ndaj dhembjes që e rrethon me një forcë kurajoje morale të lartë. Autorja mjete ka kordelet paqësore në poezinë „Të pagjeturit“ ajo është mjaft e rreptë sepse tanimë: Në makth / retë u mplakën / mbi kokën time / pjalm bryme zbardhon. Gjithë atë që ka në mendje dhe në subjektivën e saj, autorja  e bën libër përmes udhës së frymëzimit i cili në vazhdimësi vjen ashtu si e ndien ajo botën dhe kujtimin, atë që është dashur të mbetet e të mos harrohet si një e djeshme. Autorja nuk kalon kalimthi mbi asnjë motiv, por rrinë zgjuar mbi çdo ndjenjë e ide për t’i shpalosur deri në fund vullnetshëm dhe  drejtpeshueshëm, çdoherë duke qenë pashmangshëm kritike ndaj emocionit shpërthyes. Në këto poezi vërehen edhe degëzime të të njejtit frymëzim dhe kjo bëhet natyrshëm sepse dalin si pjesë të objektivit të saj krijues, por të shfaqura me një gjuhë tjetër dhe në kontekste të ndryshme. Duke qenë kështu, këto degëzime dalin të efektshme në kuptimin e ofrimit më të plotë të botës së autores, statusit të saj si krijuese. Këmbëngulëse në qërimin e hesapeve me veten dhe me atë që e rrethon krijuesja është në rrënjën e frymëzimit, të cilën me vite e ka hulumtuar, ndaj del me tri libra për një kohë të shkurtë dhe këto janë prodhime të paqetësisë së saj shpirtërore, meqë dy decenie ka jetuar larg çdo gjëje të dashur, por librat janë dëshmia se ajo ishte afër çdoherë. Ndoshta për këtë shumë poezi i përshkon një diskurs moral edhe atë përmes personazheve historikë si janë Gj. Kastrioti, mbretëresha ilire Teuta, historia e Arbërit tj. Libri “Vdekja e ditëlindjes” ka një frymë shumë të veçantë frymëzimi, një leksik shumë të pasur dhe reflekton një forcë krijuese të autorës, gjë që na bën të besojmë se ajo do të na jep edhe libra të tjerë.

 

Qibrije Demiri - Frangu

 

 

 

DANS KORBASH

 

Dans korbash

 

Në vargmale e lëshova  zemrën

Si zogun 

Legjenda fshau

Kohe lukunish  pabesia mpreh dhëmbët

Akrepat e orës tani thyer

Dans luhet

Me krrokamë korbash

Dang dang krra krra

E mëngjeseve

Gjarpërinjtë helmosin barin

 

Plagët e gjalla

 

Fytyra mumjesh mbajnë udhët

Ujë kroi s'ka as për ilaç

Gjergj Elez Alisë t'ia freskojë plagët

Tek logu mbinë legjenda

Për sytë e motrës

Nuk e di si

Gjergji me nëntë plagë

Gjallë mbet

 

Në krah engjëjsh

 

Më lejo ta heq mallin

Si shaminë ime ëmë

Shtrëngimi në gjoks

Frymëmarrjen ma ndalon

Deri në palcën e ashtit 

Ta ndjejë dashurinë tënde

Aromën e blerimeve tua ta nuhas

Dhe të dehem në prehrin tënd

Duke pirë mushtin nga duart e tua

Të preku hënën

 

Më lejo

Të shtrihem në balten tënde

E të bëhem pis si atëherë

Unë fëmijë e lazdruar

Tek fole e dallëndyshes

Të shoh syrin e pranverës

A ka ndryshuar

 

Mos e shtro sofrën për mua

Ja shikimi yt

Është bukë

Është ujë

 

Ja prushin tim ha

Mbi gjoksin tënd

 

Po më zuri gjumi

Thuaju zogjve të malit

Në krah engjëjsh

Në ëndrrën e bardhë Ajo

Po fle

 

Në Trieshtë

 

Teksa po rrija në tavernë

Dy pëllumba fluturimin ndalën

Mbi hijen time

Tek sheshi pranë bregdetit

Në Trieshtë

Unë njeri me zemër pëllumbi

Me troha buke i gostita

Pëllumbat   shpirtnjeriu

Çukitën

Derisa urinë e shuan

Ah

Lotët në sytë e mi

Duar fëmijësh

Lypsarë të Kosovës

M'u kujtuan

Imazh i trishtë

I ndërgjegjes sonë

Të copëzuar

 

Mëkati i bukur

 

Këngën  ia dhurova dhembjes

Që të fle mbi ëndrra

Pranverave

Të dashurohet

 

Zambak për flutura

Në kopshtin e zemrës

Mbolla

 

Shtigjeve  të muzgëta

Zura  xixëllonja

Drejt dritës së agsholtë

Ecja

 

Mëngjeset e vesta

Me pika loti

I numërova

 

Mëkat  bëra

Duke të pritur ty

Trëndafilat i copëtova

 

Gjeografia e zemrës

 

Nata e përqafoi qiellin e purpurt

Tek syri gjysmë i hapur

I yllit në zgjim

 

Polet në faqen e tokës shtrirë

Ia dëgjojnë frymëmarrjen

Erërave

Deri në zemër

 

Syri mat e ç’ mat

Horizontet e shkrumbuara

Me ajër të akullt

Matematikë e gabuar

Me gjakun e zemrës sime

Vijëzon kufijtë

E atdheut  të tkurrur

 

Filli i ri

 

Varka e shpresës  sërish u përmbys

Dhe lotët u bën një me detin

 

Valën me not e qetësova

Trishtimin me guaca gjerdan

I vura shpirtit tim

Rrugët e ndara me zemër i spërkata

Magjishëm në trupin tim e ngjiza

Makthin përshëndeta në vegim

 

Kë do të takoj

Fushat e bleruara

A gurët e thepisur

Nuk e di

 

Lutja

 

Tek bardhësi e resë

 Lutja ime ulet e pi ujë

 Flatra  i vë shpresës

 

Dita që në të zbardhur ftohet

Retë e lëngëzuara

Ma prishin magjinë

E ëndrrës për një çast

Më zë frika

 

Përgjigje s'marrin

Buzët e mia

Shkrumb

Edhe kur qielli lëngëzon

Mallin e vet

 

Simfoni e trishtë

E çapkënllëqe të kohës jorgovan

Hija e zhgënjimit më ndjekë

Me krahët e mi

Bën lojë n' horizont

 

Lutja ime

Drejtëz e lakuar shprese

Tek retë e vrenjtura

Rutinë dhembjeje bëhet

 

Pafundësia e marrëzisë

 

Udhët e  lakadredhëta

I mbulon mjegulla

Fushave

Era e trazuar shakullinë

Çmendurisht luan

Me gjelbërimin e tyre

Pritja trokëllinë

Si pikla kroi

Mbi shpirt bën vrimë

Derisa netët i hanë ditët

Me dhëmbë shtrigash

E gjaku i jetës rrjedh

Mbi humnerat e djersitura

Me  hukama gjarpërinjsh

Kambana nuk dëgjohet

Nga re të tendosura

E ne flemë mbi tmerrin

Merimangat qosheve

Rrjetzojnë prita

Gosti shumëkëmbëshash

Zvarranikësh

Kroi rrjedh pika-pika

E pritja trokëllinë

 

Ëndrra e trishtë

 

Në djep yjesh

Më përkund nata

Si mbi qepallë Tanushe

 

Ëndrra me teket e veta

Lehtë  mbështet

Në nënkresën time të pendëlt

 

Me butësi engjëlli

E bardhësi zemre

Pafajsisht pëshpëriti

 

A e din çka do të thotë

Të rrish me thnegla

 

E trembur u zgjova

Me rreze hëne

Natën  shkunda

 

As ëndrrën më nuk e gjeta

Iku me teket e veta

 

Unë ia di emrin

 

Shkëlqimin ma pate lakmi

Ndaj hapin më godite

Me ngjyrë mavi blerimin

E deshe në pikturë

 

Dikur

Puhizë dashuria

Me vello ëndrrat nusëroi

Me zogun e blerimit

Vallëzova

Me fluturat

Demonit në radhë

Pre i isha

Tek fushë vashërore

Që vetëm unë ia di emrin

Në zemër e ruaja

Sa kohë

Ti

Demonët radhitë

Në vallen e shtrigave nudo

Duke spërkatur tokat e gurta

Me ngjyrë mavi

Unë eca

Drejt ditës nusërore

Vellon e zbukurova

Me kordele paqësore

 

Të pagjeturit

 

Copa kristali sytë e mi

Det dhembja parzmën godet

Lot e mall maratonomak

Nga dhimbje nënash

Tremben çakejt

Amanetet stinët copëtojnë

Eshtrat t'ua mbjellin sërish

 

Fosfori xixe stralli

Feniksin rizgjon

Dheu i ngrohët

Hapet si plagë zemre

Një pëllëmbë toke

Për ty ooo vëlla

 

Në makth

Retë u mplaken

Mbi kokën time

Pjalm bryme zbardhon

Duke i gdhendur kujtimet në gur

Që sa kohë

Në lajthitje ëndrrat

Bimojnë dhembje

Netëve pafund

Varg lumi

Në syrin e nënave

Pa gjumë

 

Dhembje malli

 

Pikla shiu i ftohët

Bie në dritaren e shpresës

Kujtimi

Me vrap kaprolli

Ik fati

Thepmajave

M'u valëvit zemra

Mbështjellë e kam

Me fletët e dushkut

Të malit tim 

Pranverave mbi lisa

Pipthat të brishta gjelbërojnë

Mashtrimi ve kurorë

Fluturat me ngjyra shprese

Peizazhin e prekin

Ah

Pastaj vjen vjeshta

Pafund

 

Ecja monotone

 

Hëna shtrirë në trotuar

Kalimtarët me rreze

Spërkat

Në duar të shtrënguara

Të dashuruarve

Kujtimi bulëzon

Sërish

 

Unë fillikat vetëm

E zbukuruar me lotin

Shëtis nëpër Prishtinë

Si ballë hëneje

E ndritur me shpresën

Sa shume desha

Të takoj ty

Gjithçka e imja

 

Si në planet tjetër ecja

Yje e hënë mu tretën në sy

 

Lumi

 

Si fllad mali

Gjarpëron

I pandier

Si

Puthja e parë e

Pafajësisë

 

Plot të panjohura

Të dëgjuara fshehtësira

Në zemër të madhe

Se si i ngujon

 

Me plagë zemrash

E dashuri ëndrrash

I ngreh kullave mur

Pastaj jeta aty zgjon

 

Bartë edhe shumë gjëra

Din shumë të pathëna

Në krahët e fluturave

Ti ëndrra mbjellë

 

Fushave i dhuron blertësi

Tokës zemrën ia freskon

Ëndrrën time të vetme

Ta besova

Vetëm ti ma mëkon

 

VDEKJA E DITËLINDJES

 

Në vend të parathënies

 

Majat e maleve

Me parzmën time i kam mprehur

Mbi fosforin tim sofrën e kam shtruar

Gosti për perëndi

Me këngë rituale

Duke i pagëzuar brezat

Unë re mbi re

Largova myshkun e shekujve

Rrugëve kah eci

E ndjej trokun e kalit

Heroit të Motit të Madh

Hijen ia preku

Në Dardani u pagëzua kuq e zi

Duke bere epoka

Me ngjyrën e dejve të mi

E ty

Nga ç' nëmë nëne të është gurëzuar zemra

Thith gjakun e dejve të mi

E perëndive sofrën ua trazon

Mijëra vjet ditëlindjen ARBËRI

Ta këndoj

 

S'të pashë më

 

Me vargun tim stinët ledhatova

Me fjalë nuk zihet bota më thoshe

Sa herë shkrova ndonjë rimë

Bukurinë ëndrrës ia shtoja

 

Nënshkrimi yt në çdo radhë

Vulë shpirti pa ngjyrë

Pa dashur në vargun tim

Për ty

Mendimi fërfërinë si pelerinë

Ti

Nga vargu me ike pa zë

Me rrënjë rimën e shkule

 

Dritaret punë nuk bënë

I hapa e mbylla si zemrën

Varg e rimë u hirëzuan

Në prushin e ndjenjës

 

 Atdheu

 

Në prehrin tënd agimeve

I lidha polet e maleve gjigante

Rrugët m'i shndërrove në tunel të pafund

Kurorë e dhembjes

Blerimi peng ma mbajti

Te fushat tua

Lumenjtë varguar në sy

I ruajta për mallin tim

Me le

Pse të lash

Këngë e dasmës e pakënduar

Mbet

Sa kohë unë Teuta

Fushën e gërreva me grushte

Në kështjellën e zemrës

E ruajta me fleta ftonjsh

Dashurinë

Një ditë apoteozat

M'i shkund tërmeti i mallit

Relievi im i pafund që

Çdo stinë blerimet i spërkat

Medet

 

Mesazh në telefon

 

Në copa zemre e kodova qëndismë

Mesazhin që ma dërgove

U deshifrua dhembja

Përtej palce

Qëndisur tatuazh

Ëndrrat i balsamosa

Në galaksinë e yjeve

 

Jeta

 

Hëna rrugët m'i dritëroi

Në kopshtin me trëndafila

Me gugamë pëllumbash

Pira kafenë

Vetëm qukapiku dyzon vrima

Tek druri i harkuar

Shtëpi të re për banim

Thellë më bulëzuan mendimet

Për jetën

 

Larg teje

 

Në fushën e kujtimit

Mendimet garojnë

Nëpër honet e kohës mbarsur

Si gazele dashuria ime

Në fushën e pikëllimit shtrirë

 

Po largohem

Dëshirat

Në rreze dielli i kam varur

Blerimin ta ledhatojnë në agmi

Bjeshkës

Me ia shkri akujt

 

Çdoherë ta puthi ballin

Netëve të ethta

Ta zgjoj këngën

Kur mërzia të ketë kapluar Ty

Ta kujtoj ëndrrën

Mëngjeseve kur të jesh zgjuar

Pallën të ta ndrijë

Që varur e mbajnë

Sa brezni

Plagën të ta thaj

E imja Arbëri

 

Qartësi

 

Si në kuvertë e mbyllur

Fjala ime

Peshon në metafora

Me rrënjë lashtësie

Mprehur

Metaforat t'i deshifroj desha

Toka u dridh tërmet

Lisi u rrëzua pa u djegë

Fusha pa logje mbeti shkret

Mjegullat

Rrjete merimange

Ngulfasin ajrin

Sprija thith gjak

Ne dejtë e mi prushi flakë

Vaji bar plage

Orakujt në metastazë 

Të gjitha janë

Tek fjalët e mia

Të mbyllura në metafora

Si në kuvertë

Le të dridh tërmeti

Le të njëzohen lumenjtë

Ti pellazgia ime shpërthe

 Prek qiejt

 

Vdekja e ditëlindjes

 

Autostradë dhembja

Rrugëve të mia pa kthim

Thërimia thërima m'i bëri

Ëndrrat e  xhamta

Shpirti  pasqyrë dashurie

Shpresoi ardhjen tënde

 

Nuk erdhe

As kur ditëlindja ime vdiq

Në kremten që nuk filloi

Ajri i jeshiltë

Më shkundi kujtimin

 

Tek  mjegulla e dendur

E vara qepallën e mallit

Që më thepoj zemrën

 

Nëna ime rruzare

 

Në gjunjë i përkulem

Nderit dhe madhështisë tënde

 

Në ballin tënd kalëron vuajtja  

Mozaik i shpirtit

 

Tek qielli i ëndrrave

Dhimbjet radhitë

 

Duke i ngujuar lotët

Në fushën e ndjenjës

 

Që të shpërthejnë për gëzimet

E  takimeve tona të mallta

 

Nëna ime

Rruzare xhevahiresh

 

Në kopshtin e zemrës tënde

Flijimi  ka rrënjët

 

Kënga me nota dielli

 

Kurrë

Nuk

Ia

Kuptova

Këngën qyqes

As ngjyrën

E korbit

Se kuptova

Si mungesën e këmbëve

Te gjarpërinjtë

Fluturimin e shqiponjës

Krahët e engjëllit ma shpjegojnë

E kënga ime

Komponim dashurie

Me nota dielli

Mbet

 

Zbrazëtirë

 

Valët e detit vdiqën

Buzëmbrëmja duke u zgjuar bie

Guaca e yje deti

Dremitën nën strehë rëre

Vrapi i mallit m'u ndal

Tek rreth i horizontit

Me ngjyrën e kuqërremtë

Dashurinë pikturova

Ah ti matanë këndej unë vetëm

Nën qiell yjesh njësoj

E valtë dashuria më copëton

Shpirtin atëherë nis ta kujtoj

 

Meditim

 

Ndër dhëmbët

E brengave

Koha zhduket  

Zemra ime

Me  nota violine

Shkruan simfoni

Shiu bie

Akuj me thepa

Pa mbarim

Duke ia shtrembëruar

Emrin malit

Mezhdave 

Lulëkuqet mbeten

Pasthirrmë

 

Ik

 

Kur të duash mbylle derën

Atje të presin kujtimet e mia

Janë kudo

Me ajër  mbështjellë

Tek fole e thurur

Me rrënjë zemre

Dhembja përtërinë

Fuqinë

Ik 

Shtratin

Me ëndrrat e mia

Shtroje

Në mëngjes

Shkundi mbi vesë

Dhe shkel mbi to

Unë do t'i thaj lotët

Tek pasqyre e diellit

Ti i mbyllur tek dhembja

Jeto

 

Historia

 

Mbi shpatullat e mia

Rrotullohesh

Gjarpërinjtë

Presin rënien time

Të helmëta dëshira

Trazojnë ajrin

Unë eci drejt malit tim

Rrugëve ilirishte

Nga qiejt e zbardhur

Perënditë pellazge

Më spërkatin dashurinë

Një ditë

Do të perëndojë ligësia

  frymojë lirshëm

Njerëzia

 

Piktura

 

Në bardhësi pëlhure

Sytë kornizë

Zemra në mes si gjithnjë

Gjaku vërshon në vend lumi

Këmbët trung

Me duar të degëzuara

Ëndrrat  rrugë me pjerrtësi

Galeria e shpirtit sa e çuditshme

Me panel plot ngjyra vuajtjesh

I bartë kah  të shkojë

Jeta

 

Gjëma

 

Karvan shkretëtire pasioni

Bulëzim djerse e ftohti

Ma mbulon ballin

Qielli i brengave

Me ngjyrën e vet më përpin

Dua të bërtas

Po kush më dëgjon

Mespërmes  pabesia

Shkel mbi trupin tim

Rërë e tharë

Zhgënjimi

Në rrugë shkretëtire

Shtohet pa fund

 

Shiu

 

Brengen time

Në lot e ktheu qielli

Nga qepallat e reve

Trishtimi i rrebeshtë bie

Reja  si demon

Kujtimet suvenire

M'i hedh mbi fytyrë

Koha dyzohet

Qyqe pabesia

E veshur me tradhti

Thur himne

Mashtrimin e lartëson

Pasioni im

Pëlcet në horizont

Në këtë kohë

 

KOHË KUTURU

 

Kuturu

 

Flutura ma solli

Porosinë tënde

Mos fol

Dhembjet  i varrosa

Në parmak

Tani kam lule

Ujitur  me lotin

E acareve

Me flatra pëllumbash

Retrospektiva

U zhduk

E di

 

Kali i Trojës

 

Si në eklips

Nata errësuar

Pa yje

 

Në ftohtësi mermeri

U përmbys bota

 

Nga barku i kalit

Ushtarët

Trojën e nxinë

 

Copa trupi

Ushtarësh të vdekur

Varur mureve

 

Të tradhtisë peng

 

Në logun e betejës

Nuk vdiqën

 

Me kalin e vdekur

I vranë

 

Rizgjimi i bukur

 

Me rreze hëne

U ndritë nata

E valtë lumturia

Ndjenjën ma pushtoi

Shkumbëza e  detit

Si lule orkide

Ëndrrat m'i dehu

 

Një natë shetie rreth detit

Mbi një cep qielli

Të shpirtit

Fluturim i pulëbardhës

Një kujtim ma rizgjoi

 

Mbyllur në kujtim

 

Hëna m'i përgjoi

Mendimet 

 

Në kostelacion yjesh

Pamja  jote

Më vezulliu

 

But e ledhatova

Dëshirën e ëndrrës

 

Me lotin u mbylla

Te  kujtimi

 

Fjala e papagallit

 

Për vetminë e Robinson Krussos

Foli papagalli mbrëmë

 

Malet narracionin e mësuan

përmendësh

 

Po Krussoja kujt i tha

 

Vetmia më ndoqi

Duke kërkuar njeriun

 

Përjetësi kënge

 

Sofrën me bukë mrume

Koliqi e ka të shtruar

 

Nga thepmajat

Zë kushtrimi bie

 

Lasgushi këndon

Me lotin e mallit

 

Mespërmes Shqipërisë

Me lot Drini në syrin e amshimit

 

Dëshirat

 

Këmbëzbathur

Luadheve tua

Kam shkelur vesën

Mëngjeseve të ftohta

Që të rritem për një ditë

 

Qiellin  ëndërroja

Ta preku

Tek ngjyrë ylberi

Të jem lot i qeshur

I dhembjeve tua

 

Lakenjtë që të gjakosnin

Me rrufe

T'i largoj desha

 

Në panteon

Ta shkruaj emrin

Me trupin tim

 

Kosovë

Dashuria ime 

E pambarim

 

   Njeri perëndi

(Vëllaut Kadriut)

 

Me rrufe  torturash

Trupin tënde të flashkët

E goditën gjakësorët

 

Të freskëta

Blerime tëmbëlore

Vitet e tua

 

Ligësi përbindëshash

Lakuni të uritura ishin

Çnjerëzorët

 

Mbi  plagën tënde

Ylber degëzohej liria

 

Në kaltërinë e qiellit

Sa herë betuar ishe

 

Njëmijë herë lindje

Blerimit me ju fal

 

Nuk dini ç 'bëni

Ishte fjala jote

 

Si promete

U ringjalle

 

Çast

 

Rrezet e ngazëlluara

Gudulisin syçkat e luleve

Tek luadhi i fluturave

Gjithçka shkëlqen

Për pikturim

Ah

Po frymëzimi im ku mbeti

Dora u shtang tek paneli

Pikëllimi lëshoi vellon

U stolis në trupin tim

 

Krahasim

 

Në çfarë ngjan loti

Po deti në çfarë ngjanë

Me njërin

Peshoj mallin

Zemrën

Me tjetrin zgjeroj

 

Ecje nëpër qiell

 

Sa gjatë eca

Nëpër qiell

Duke kërkuar

Ta ndjej

Dheun e ngrohët

 

Pse

 

Në kokë Krishtit i vunë gjemba hekuri

E  me gozhdë  këmbët ia shpuan

E pyeta një të ri slloven

Valle bota te ketë qenë çmendur

E çmendur është dhe tani

Më tha ai i ri

 

Kur jam me ty

 

Në çdo stinë

Gjelbëron behari

Trishtimi

Se ku ik nuk e di

Gjithçka

Merr kuptimin e vet

Kur ti

Emrin tim thërret

 

Kohët

 

Fara  kërkonte tokën

Filizat të diellit ngrohtësi

Në horizonte ligësia zgërdhihej

Jargë pabesie spërkatnin Shqipërinë

Na ishte njëherë si tani

Po për të nesërmen

Kush e di

 

Te kalaja

 

Zonjë hijerëndë

Duket Emona

Kur e vështroj nga kalaja

 

Në majën e pirgut

Dalloj shkronjën e emrit tim

 

Ndër gështenja

Dëgjoj këngë zogjsh

Si në Kosovë

 

Gati në fund jam

 

Në fushat e dimrave

Acari  më ngrin

Edhe një pikë gjaku më ka mbetur

Deri të pranveron dielli

 

Afër

 

Unë edhe ti

Nën një strehë qielli

Aq afër

Dëshira fërfërinë

Por nuk flasim

Krenarinë

Nuk duam

Ta vrasim

 

Mos

 

Mos me lëndo

Se flutur bëhem

E më merr qielli

 

Mos me përbuz

Pse  urrejtjes

Ngjyrën nuk ia njoh

 

Mos ik

Kur mbi dhembje

Dashurinë e përgëdheli

 

 

Rri me mua

Ta ngjyrojmë

Ditën

 

Poezi »Rozafa«, Prishtinë 2007

 

P Ë R M B A J T J A

 

DANS KORBASH

 

1. Dans korbash

2. Plagët e gjalla

3. Në krahë engjëjsh

4. Në Trieshtë

5. Mëkati i bukur

6. Reliev zemre

7. Filli i ri

8. Lutja

9. Pafundësia e marrëzisë

10. Ëndrra e trishtë

11. Vetëm unë e di

12. Të pagjeturit

13. Dhembje malli

14. Ecja monotone

15. Lumi

 

VDEKJA E DITËLINDJES

 

16. Në vend të parathënies

17. S'të pash më

18. Dheu atdhe

19. Unë gruaja

20. Mesazh në telefon

21. Jeta

22. Larg teje

23. Qartësi

24. Vdekja e ditëlindjes

25. Nëna ime rruzare

26. Kënga me nota dielli

27. Zbrazëtirë

28. Meditim

29. Ik

30. Historia

31. Piktura

32. Gjëma

33. Shiu

 

KOHË KUTURU

 

34. Kuturu

35. Kali i Trojës

36. Rizgjimi i bukur

37. Mbyllur në kujtim

38. Fjala e papagallit

39. Përjetësi kënge

40. Dëshirat

41. Perëndi njeri

42. Çast

43. Krahasim

44. Ecje nëpër qiell

45. Pse

46. Kur jam me ty

47. Kohët

48. Tek kalaja

49. Gati në fund jam

50. Afër

51. Mos

© Pashtriku.org

 

( Përgatiti moderatori i www.pashtriku.org )

 

 

 

Një mendim kritik që shpërfaq përmasën e botës shpirtërore të skalitur në poezinë e Elife Luzhës.

 

 

POEZITË E LUZHËS S’MUND T’I KALOSH ME PËRGJUMJE, SEPSE ATO TË ZGJOJNË

 

Duke lexuar vargje dhe poezi të Elife Luzhës nga libri

“Vdekja e ditëlindjes” Rozafa, Prishtinë, 2007.

 

 

 

Shkruan: Mr. Ismail Syla

 

 

Duke e lexuar librin me poezi të autores Elife Luzha “Vdekja e ditëlindjes” më hyri në shërbim një thënie e semiologut dhe njërës nga mendjet më erudite të bashkëkohësisë sonë, Umberto Eko. “Barra e leximeve” sipas tij është edhe një kusht më shumë për njohjen më të plotë të prodhimit intelektual të njerëzimit. (Shfleto: opusin libror të Ecos)

 

Pranëvënia e fjalëve

 

     Mbi këtë parim lexova secilin varg të librit, dhe nga “Vdekja e ditëlindjes” veçova gjithçka që më jep arsye të flas për vlerën e poezisë së autores Luzha. Së pari desha të veçoj mikrostrukturën e vargut, dhe së dyti, brenda përmbajtjes së librit të përzgjedh “antologjinë”. Është interesante se nga leximi me nënvizime, lapsi u ndala në tetë mikrostruktura, që do të lexohen më poshtë. Po ashtu, brenda librit u krijua miniantologjia prej tetë poezive, që sipas mendimit dhe shijes sime meritojnë një lexim eseistik. Aftësia e gjuhës artistike qëndron në faktin e pranëvënies së fjalëve që krijojnë dhe arrijnë domethënie lirike, estetike. Një dokument i nxjerrë nga zyra e shërbimit civil do të ishte i përkryer nga aspekti formal, (certifikatë lindjeje, kurorëzimi, vdekjeje, pasaportë, qoftë edhe e UNMIK’ut) nëse me saktësi aty ku shkruan emri shkruhet drejt emri i njeriut, pastaj mbiemri, ditëlindja dhe një vulë zyrtare. Por, në saktësinë dhe përkryerjen poetike kemi tjera rregulla, tjera kritere. Libri që po promovohet na bind se krijimi letrar është fushë ku fërkimi i fjalëve krijon shkëndija lirike, dhe aftësia shprehëse e gjuhës shqipe nuk do të shterrë asnjëherë. Për ata që kanë dije të specializuar për mikrostrukturën e tekstit, për bukurinë stilistike të fjalëve shqipe, për aftësinë shprehëse të sintagmave, tetë shembujt e mëposhtëm janë si gurë të çmuar, margaritarë poetikë.

 

1.      “Pabesia mpreh dhëmbët” (Dans korbash)

2.      “Më lejo ta heq mallin / Si shaminë ime ëmë” (Në krah engjëjsh)

3.      “Hija e zhgënjimit më ndjek” (Lutje)

4.      “E ne flemë mbi tmerrin” (Pafundësi e marrëzisë)

5.      “Në lajthitje ëndrrat / Bimojnë dhembje” (Të pagjeturit )

6.      “Majat e maleve / Me parzmën time i kam mprehur” (Jeta)

7.      “Si gazele dashuria ime / Në fushën e pikëllimit shtrirë (Larg teje)

8.      “Vetmia më dogji / Duke kërkuar njeriun” (Fjala e papagallit)

 

Miniantologjia

 

     Janë gjithashtu tekstet e tetë poezive që shquhen me koherencë kuptimore dhe ndërtim artistik të baraspeshuar me sensin e masës, dhe nuk ka mundësi t’i kalosh me indiferencë estetike, as me përgjumje intelektuale, sepse ato të zgjojnë. Ajo që është bërë rregull i marketingut në botën e konsumit të gjerë, për ta reklamuar qoftë edhe një detergjent si më të zgjuar, më ekonomik dhe më aktiv, nuk po ndodh në botën e artit nga mendimi kritik për të shpërfaqur vlerat estetike të një libri të arrirë, të një mendimi  poetik, të disa vargjeve apo edhe një poezie të vetme, e cila zbulon një trajtë të përmasës së shpirtit njerëzor, një ide, vuajtje, imazh ose një përjetim të botës nëpër membranën e ndjeshme të botës shpirtërore.

     Nuk do të lë pa veçuar secilën prej tyre me bazën kuptimore që ia ofron lexuesit të kujdesshëm, dhe sidomos atij profesional. Poezia, e cila si titull mbështjell edhe përmbledhjen me titull tronditës, tragjik, dramatik dhe fatal “Vdekja e ditëlindjes”, qëndron më vete si njësi poetike duke dhënë idenë e të priturës së mjegullt, të paqartë. Në këtë pritje përtej gërryerjes fizike të njeriut është një plagë e jetës shpirtërore që “thepon zemrën” e njeriut. Kur në botë mungon hapësira e lumturisë, ajo dhembjes e rrethon atë, sipas ligjit të njohur të shkencave fizike se në këtë botë asgjë nuk shtohet, asgjë nuk humbet, veçse shndërrohet (transformohet)

     “Nëna ime” është poezi e toneve të ngrohta, me nota refleksive, shprehje e një dashurie dhe respekti pa patetikë, por me konfirmime të plota për dashurinë universale ndaj nënës, me vençatinë autoriale të dashurisë ndaj nënës së “takimeve të mallta”, duke përmbyllur idenë se nëna është sinonim i shqetësimit dhe flijimit për krijesat e veta.

     “Këngë me nota dielli” ta kujton poezinë “Motive me diell” të Ismail Kadaresë. Derisa ai e udhëzon piktorin që të përjetësojë në pëlhurë motive me diell, para rënies së territ (supozojmë para se të vdes) autorja Luzha midis botës së kontrasteve të fuqishme (qyqes, korbit, gjarpërit) ka intencë estetike këngën si “komponim dashurie me nota dielli”.

     Poezia “Ik” e ruan mirë gradacionin e rrëfimit lirik. Përgjithësisht më mirë se kudo është shpërndarë edhe leksiku poetik i saj. Fjalët dhe togfjalëshat: kujtim, rrënjë zemre, ëndrra, dhembje, pasqyrë dielli, mëngjes, vesë, fole e thurur etj. janë qarku semantik i autores, që në tërë librin veçsa përpunohet dhe nuancohet me nënvariante të ndryshme për t’i dhënë trajtë vuajtjes shpirtërore dhe vetëshpjegimit poetik.

     Poezia “Historia” është një kredo e autores për atë që aq me bujë e ka proklamuar njohja teorike si raport midis individuales dhe universales, midis relacionit njeriu dhe atdheu. Është krenaria romantike dhe nostalgjia ndaj atdheut, ndaj së kaluarës sonë krenare (paradoksalisht ndonjëherë edhe boshe). Çiltërsia e autores karshi atdheut është më e fuqishme se membrana artistike me të cilën mëton ta ravijëzojë.

     Poezia “Kali i Trojes” ka arritur që ta jap bukur idenë se më e rëndë se dhuna është vetëmashtrimi. Nëse “Laokoonti” i Kadaresë kulmon me idenë se më tragjike është indiferenca ndaj krimit se sa vetë krimi, autorja sublimon tragjikën e trojanëve:

 

Në logun e betejës

Nuk vdiqën

 

Me kalin e vdekur

I vranë.

 

     Poezia “Dëshirat” ruan shtrirjen spontane, të pashpifur si ndjenjë dhe mendim për ëndrrat jetësore të autores. Aty del në pah dashuria ndaj atdheut e qartë dhe intime, pa stërhollime stilistike. Dhe poezia e tetë “Krahasim”, e ndërtuar mbi antinominë, më shumë se realizim artistik, arrin të sfidojë dy krahasime midis lotit dhe detit, me të parin atorja peshon mallin, me të dytin zgjeron zemrën. Pa dyshim një figurë e mirë më shumë meditative se sa e arrirë artistikisht.

 

Në vend të përmbylljes

 

     Duke shprehur keqardhje që nuk po kam mundësi ta lexoj vetë këtë tekst, shumë të nderuar pjesëmarrës në këtë promovim të librit, e nderuara familje Luzha më lejoni që këtë shkrim ta përmbyll me një koment të lirë për mendimin e Artur Shopenhaurit, i cili thotë se gjenitë janë të trishtuar. Nuk është fjala për kuptimin strikt të gjeniut, por është fjala për atë komunitet njerëzish të botës shpirtërore, që jetën e përjetojnë me vuajtje dhe gërryerje të thella psikologjike. Në këtë komunitet padyshim vendin e ka autorja e nderuar Elife Luzha. Autores i them se të jesh idealiste në tërë shekullin e jetës është ushtrimi më i rëndë i të mbeturit e njëjtë. Jeta jonë është si Prometeu i mitologjisë antike, që ndër sy t’i ndërron mijëra pamje, mijëra fytyra. Prandaj është krejt e natyrshme që në librin tuaj ka aq ankth, aq shqetësim. Ata që kanë prirje për ta përjetuar shumë shpirtërisht realitetin, botën në të cilën ka kaq kufizime, padrejtësi, mosmirëkuptim dhe barbari, natyrisht se nuk mund të mos jenë të trishtë dhe sentimentalë. Barbaria moderne është forma më shtypëse e njeriut. Prandaj do të vazhdosh të jeshë e vetmuar, ashtu siç shkruan në poezinë tënde  të digjesh, duke kërkuar njeriun”.

 

Prishtinë, 26 tetor 2007

 

 

powered by Beepworld