|
PARATHËNIE
Duhet thënë që në fillim se libri ''Vdes me trëndafilin'' i poetes Elife Luzha është një libër i padjallëzuar. Është libër i tillë sepse këto poezi i krijon pasioni i vazhdueshëm dhe sublim i saj për Kosovën, familjen e shoqërinë, për jetën shqiptare në përgjithësi, krahas intimes të cilat janë alfa dhe omega e udhës së saj jetësore plot krajata. E terrorizuar qysh e re, ajo nuk ka edhe si t'i ikë këtij mozaiku motivor. Si një vash e futur herët në dhembjen e tokës së saj, doemos e krijon Mbi-Unin i cili tërë jetën do ta udhëheq nga Kosova (poezia ''kthimi''). Poetja nuk e reflekton urrejtjen e as inatin, por e reflekton revoltën, sepse atëdheu i saj padrejtësisht vuante robërinë. Përkundrazi ajo udhëhiqet nga dashuria, nga dashuria për vendëlindjen, fëmijët dhe jetën në tërësi, por asnjëhere pa e gënjyer veten se liria mund të vie një natë nga një derë që nuk e sheh kush. Me urtësi ajo shtrinë në motivet e saj historinë dhe ëndërrën shqiptare përmes artfjalës që në një mënyrë bart edhe përvojën e saj të idhët jetësore. Ajo është një krijuese e ndjenjës dhe sinqeritetit sepse sinqerisht e shpirtërisht i ishte përkushtuar dashurive të saj të mëdha. Përkushtimi i saj me plot devotshmëri por gjithmonë pa dashur të bie në sy, thuase e la në anonimitet, për ta rizbuluar pikërisht ky libër vjershash, këto poezi dhe vetë kthimi i saj në Kosovë, që paraqet edhe vazhdimësinë e pashkëputur të veprimtarisë së saj. Në këtë libër, autorja, dëshmon fuqishëm forcën e saj dhe pushtetin që ka mbi ndjenjat e veta, duke arritur suksesshëm që pikat më të rëndësishme të jetës së saj ti disiplinoj mes vargjesh e figurash, pa rënë në patetikë, por duke u shprehur në mënyrë të emancipuar për gjithë botën e saj të tronditur dhe ndonjëhere të humbur shpirtërore. Këtë e dëshmojnë poezitë ''Lindja ime'', ''kthimi'', ''Vdes me trëndafilin'', ''Mikes sllovene'' dhe poezitë kushtuar fëmijëve të saj dhe atyre të vendlindjes e që gjithësesi janë tjerë nga ata të vendeve në liri, sepse tjera ëndërra kanë ata. Autorja flet përmes gjuhës së figurave, duke arritur të krijoj një gjuhë të asociacionit dhe poezinë duke e ndërtuar me më pak fjalë, por me më shumë ndjesi dhe meditim. Përkundër që shpesh merret me motive të ashtuquajtura historike, ajo i ik folklorizmit me mjshtërinë e saj, i ik rrëfimit dhe e lë lexuesin në mesin e figurave dhe shqetësimit të saj poetik. Ky libër para së gjithash paraqet edhe arsyen e jetes së saj, duke treguar që imagjinata është ajo që e shpëton njeriun nga humbja në rrugën e vështirë jetësore. Libri në fjalë është një dëshirë e arsyes së të jetuarit dhe krijuarit të autores.
Qibrie Demiri’Frangu
|