PJESA E 5/6

 

 

( PJESA E PESTË )

 

 “FAQE TË PANJOHURA TË HISTORISË SË NDSH’së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

Shkruan: Mutafë Krasniqi

 

   Behram Krasniqi. Në shtëpinë e Behram Krasniqit kishte qëndruar ilegalisht Rizah Strellci. Edhe familja e Behram Krasniqit, nga Shipitulla, është dalluar për rezistencë ndaj forcave serbe. Nga ajo shtëpi ka krisur pushka e parë e UÇK-së në këtë fshat nga nipi i Behramit,Muhamet Krasniqi (Muhameti ishte djali i vogël i Tahir Krasniqit). Dhe, mbi shtatë muaj djemtë e kësaj lagjeje kanë qëndruar trimërisht e të paluhatshëm në pikat e qëndresës, që ishin bazat e UÇK-së.

     - Babain tim, Behram Krasniqin, - shpjegon Tahiri, - e burgosin dhe e dërgojnë në burgun e Vushtrrisë, ku ka qëndruar gjashtë muaj. Për t’i shpëtuar më të keqes, vëllai i tij, Hyseni, detyrohet t’i shes lopët dhe tërë mallin që kishin për ta shpëtuar nga burgu Behramin. Gjendja e tij shëndetësore në burg, nga torturat e përjetuara, ishte vështirësuar aq shumë, sa përballej me jetën dhe vdekjen. Babain tim, Behramin, e lëshuan të dërmuar nga shëndeti. Shtatë muaj është mbështjellur me lëkura të dhenëve, si kurë dhe ishte ndihmuar nga shokë dhe miq, me qenë se kishim mbetur pa buke në sofër. Baba ishte burgosur vetëm pse në kullën tonë ishin strehuar njerëzit e malit, të cilët i quanin kaçak apo cuba. Sipas Ramadan Krasniqit, që ishte djali i dytë i Behram Krasniqit, baba ka qenë i lidhur me dikend, por ne ishim fëmijë dhe nuk e kuptonim me kend. - Ne nuk e dinim se pse baba mbante lidhje me njerëz të malit. Në kullë vinin shumë njerëz. Më kujtohet, si fëmijë, kur hynin brenda në odë, e kishin të mbështjellur kokën me shamia të zeza. Në atë kohë jetonim vetëm me babën, sepse nëna na kishte vdekur herët, pasi kishte lindur vëllai i vogël, Ademi. Nëna ka qenë vajza e Shaban Kapuçit, gjyshit tonë nga nëna, të cilin e kishin varur në Vushtrri. Baba na fliste shumë për Xhemë Xhurakun e Sllatinës, për Ilaz Kodrën, për Rexhep Xhelin e Likoshanit, për Ukshin Kovaçicën dhe për shumë të tjerë. Kulla jonë më vonë është quajtur si Kulla e Cubave.

    Ne, djemtë e Behramit, jemi nipa të  atdhetarit të njohur të fshatit Mihaliq të rrethit të Vushtrrisë, Shaban Kapuçit, të cilin e kanë varur te plepat e Vushtrrisë. Poashtu në Çiçavicë, te Guri i Madh, të vitin 1920, nga forcat çetnike ishte vrarë, bashkë me disa shqiptarë tjerë, edhe babai i Hysen, Behram e Avdullah Krasniqit, Tahir Krasniqi. Tahiri ishte babagjyshi im, emrin e të cilit e mbaj unë, - ka shpjeguar sot Tahir Krasniqi. - Gjatë ekzekutimit të gjyshit tim janë vrarë edhe shumë njerëz tjerë, që ishin nga Zhilivoda, Beçuku, Strofci dhe të shumë fshatrave tjerë. Tahir Krasniqi tregon se Ramiz Qyqallën e kishte njohur mirë, sepse ai kishte qëndruar shumë në shtëpinë e tij. - Burrë si Ramizin në këto anë nuk kemi pasur. Torturat që i ka përjetuar ai, nuk i ka pësuar asnjë njeri tjetër. Edhe Fetah Qyqalla ishte një burrë i mprehtë nga mendja e shumë i guximshëm. Kam punuar me të në kombinatin “Kosova”. Më vonë u bëra edhe dhëndër i tyre. Ramiz Qyqallën e kishte lidhur me familjen Krasniqi ideali njerëzor dhe kombëtar: -Kur shkoj për të ndjetë në këtë familje, më kënaqet shpirti, sepse burrat e Krasniqëve të Shipitullës janë zemër njeriu. Te ata ndjehem i kënaqur, si në shtëpinë time. Me këtë familje Ramizi kishte bashkëpunuar vazhdimisht.

     Gjon Sereçi  Më 11 shkurt 1920 në Ferizaj lindi atdhetari dhe vizionari i shquar, Gjon Sereçi. Shkollën fillore e mbaroi në Ferizaj, kurse gjimnazin në Prizren. Ishte regjistruar në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku shquhej si njëri nga studentët më të mirë. Gjoni në vitin 1944 burgoset nga policia gjermane SS. Dënimin e mbajti në Kampin e Prishtinës. Më vonë e kanë internuar në Kampin e Vjenës në Austri, deri në shpartallimin eGjermanisë naziste. Pas kapitullimit të Gjermanisë, Gjon Sereçi lirohet nga kampi dhe kthehet në Prishtinë, ku vazhdon punën aty ku e kishte lënë. Ishte njeri i ngritur, me horizont të gjerë të dijes. Me angazhimin e tij dhe me përkushtimin si arsimdashës, pranohet arsimtar në Gjimnazin e Prishtinës. Krahas mësimit dhe edukimit të nxënësve, nuk e la anash as çështjen e atdheut. I kishte përcjelluar me vëmendje ngjarjet që kishin ndodhuar me popullin e tij gjatë pushtimit nazist gjerman. Kishte pasur frikë se pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, do të ndodhte edhe një pushtim i ri në pjesët e ndara të Shqipërisë. Mashtrimi për popullin shqiptar u bë me premtimet se shqiptarët do të vendosin vetë për fatin e tyre, se edhe për shqiptarët po vinte liria, se shqiptarët në Jugosllavi do t’i gëzonin të gjitha të drejtat, si të gjithë popujt tjerë... Por, ndodhi e kundërta. Gjon Sereçi e kishte hetuar me kohë këtë lojë të regjimit jugosllav. Ai e dinte mirë se më s’do të flitej për të drejtat e shqiptarëve, se më s’do të flitej për bashkimin me Shqipërinë.

     Gjon Sereçi, me shumë atdhetarë të tjerë, duke mos u pajtuar me këtë tradhti, kërkonte rrugë të tjera. Në këto kërkime ra në kontakt me njerëzit e shquar, si me grupin e Ajet Gërgurit dhe me kryengritës tjerë, të cilët ishin kundër politikës pushtuese të regjimit të ri jugosllav. Si anëtar i NDSH-së Gjoni arrestohet në Prishtinë nga forcat e regjimit dhe burgoset. Më 25 shkurt 1947 Gjykata Ushtarake e Prishtinës, me prokuror Ali Shukrinë, e dënoi me vdekje. Më 31 gusht 1947 Gjon Sereçi u ekzekutua në Tauk-bashqe të Prishtinës. Në trupin gjykues ishin edhe Hivzi Sulejmani, Kolë Shiroka dhe Qamil Brovina. Bashkë me Gjonin dënohen dhe ekzekutohen edhe Ukë Sadiku, Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi dhe Osman Bunjaku. Dënohet dhe Ramiz Qyqalla, me 4 vjet burg. Tinëzisht janë vrarë në pritë, në fshatin Prapashticë të Gallapit, Azem Jashanica, Musli Dumoshi, Qazim Bajraktari e të tjerë. Me burg të rëndë, nga 15 dhe 20 vjet, janë dënuar të gjithë të arrestuarit e grupit.

     Gjatë gjykimit Gjon Sereçi kishte sqaruar rolin e NDSH-së me këto fjalë: - Kjo nuk është organizatë balliste, por është organizatë Nacional-Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike, duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha të jashtme, siç janë Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që janë në male, të cilat do të ngriteshin për ta marrë pushtetin në duart e veta... Gjon Sereçi ishte kujdesur në gjykim që Rexhep Buçinca të mos ndëshkohej me dënimin kapital nga gjykata. I ishte drejtuar trupit gjykues, në mbrojtje të Rexhep Buçincës, me këto fjalë:

     ”Ai është një bujk analfabet, s’di kurrgjë për këto çështje.” Në fakt Rexhepi i dinte të gjitha ngjarjet, ngase çdo gjë kishte rrjedhur prej kullës-kala të tij.  Rexhep Buçinca ishte një luftëtar i denjë, i cili shtëpinë e tij e kishte vënë për interesin e luftës për liri. Ishte i angazhuar si korrier i besueshëm dhe si atdhetar i devotshëm. Kishte bartur pothuaj tërë materialin e rëndësishëm të NDSH-së, të cilin e dërgonte në Prefekturën e Shkupit, te Ahmet Begu dhe nga atje e sillte në Prishtinë, te IlazAgushi. Këto materiale i merrte nga Ajet Gërguri dhe nga Gjon Sereçi. Për të Ramiz Qyqalla thoshte: - Rexhep Buçinca ka qenë burrë e kaluar burrit, trim i vërtetë dhe i ndershëm. Kulla e tij ka qenë një çerdhe e patriotëve, një shkollë, një vend ku ishin hartuar shumë plane të luftës kundër Jugosllavisë. Nuk ka lejuar këmbë shkau ta shkelte kullën e tij. Disa herë Milosav Blagojeviqi është përpjekur me forcat e veta për ta pushtuar kullën e tij. Zëri i Rexhep Buçincës jehonte nga lart kullës, duke thirrë: - O Milosav, hajde – hajde n’ta mbajtë! Me hi - hin, po dije se i gjallë nuk del! Rexhepi nuk ka ditë me u tutë.

     Burrat, si Rexhepi, janë matur shumë herë me vdekjen, por vdekja kurrë nuk i ka nënshtruar dhe ligësuar, kur në pyetje ka qenë atdheu dhe liria, përkatësisht, Shqipëria. Ajet Gërguri ka lindur më 1905. Ishte njëri nga trimat të cilët nuk u ndalën kurrë për ta bërë Shqipërinë të bashkuar. Sipas detyrave që ia kishin ngarkuar anëtarët e Kryesisë së NDSH-së, edhe Ajet Gërguri zhvilloi në Llap aktivitet për formimin e komiteteve të Organizatës. Në muajt korrik e deri në shtator 1945, me punën dhe vullnetin e tij, arriti të formonte disa komitete. Sipas Ilmi Muzaqit, Ajet Gërguri ishte njëri nga ideologët e rezistencës së armatosur dhe njëri nga veprimtarët më të përkushtuar të NDSH-së. Pabesisht u arrestua më 3 shkurt 1947 në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Këtë vit ekzekutohet, bashkë me atdhetarë tjerë.

     Për arrestimin e tij është spekuluar shumë në opinion, por i mbetet historisë ta zbulojë të vërtetën. Ajet Gërguri, si dhe shumë luftëtarë tjerë, ranë në prita apo u arrestuan në saje të njerëzve shpirtligj, për të mos thënë – të tradhtarëve të kombit.

     Hilmi (Ilaz) Zariqi lindi në vitin 1914 në fshatin Baicë të Drenicës. Ishte me ndikim dhe me lidhje të forta me njerëzit e rezistencës, i angazhuar për t’i bashkuar grupet ilegale të kohës. Kishte lidhje sidomos me luftëtarë të njohur, si me Shaban Polluzhën, me Mehmet Gradicën etj. Me Sadik Tafarshikun ishte shok i ngushtë, të cilin e konsideronte si vëllain e tij. Një kohë ishte edhe kryetar i Rrethit të Skënderajt.

   Për shkak të veprimtarisë atdhetare Hilmiu burgoset në vjeshtën e vitit 1945, kurse më 24 prill 1946 ka ikur nga burgu. Pas ikjes Hilmiu ka rënë në kontakt me udhëheqjen e NDSH-së; Ajet Gërgurin, Gjon Sereçin e me të tjerë. U mor me riorganizimin e radhëve të organizatës dhe u përpoq për bashkimin e grupeve ilegale.

   Hilmiu mori pjesë në të gjitha mbledhjet e organizatës, si dhe në Kongresin e Lipovicës. Ky kongres mbahet edhe nën përkujdesjen dhe organizimin e tij. Ka organizuar takime me krerët atdhetarë në malin e Çiçavicës, në Radishevë, në Kotorr, në Runikë e vende tjera. Në lagjen Arllati të fshatit Damanek është mbajtur një tubim nën kryesimin e Ajet Gërgurit, kryetar i NDSH-së, Gjon Sereçit, sekretar dhe Hilmi Zariqit, kryetar i Komitetit të NDSH-së për Drenicë.

   Në përpjekjet për organizim dhe masovizim, Organizata u godit rëndë pas arrestimit të kreut të saj. Gjykata e Qarkut e Prishtinës i dënoi me vdekje: Hilmi Zariqin, Gjon Sereçin, Ajet Gërgurin, Osman Bunjakun dhe Ukë Sadikun. Gjykimi u mbajt më 30 prill 1947 ndërsa më 31 gusht të atij viti janë pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës Gjon Sereçi, Osman Bunjaku, Ukë Sadiku dhe Ajet Gërguri, kurse Hilmi Zariqit dënimi i është kthyer në 20 vjet burg.

    Hilmi Zariqi dërgohet për mbajtjen e dënimit në Burgun e Stara Gradishtës, kurse në vitin 1952 përsëri tentoi të ikën nga burgu.Mirëpo, nuk arriti të arratiset, sepse pas tij rojat e burgut kishin lëshuar breshëri plumbash dhe e kishin vrarë.

    Porosia e Hilmiut, sipas gruas së tij, ishte: - Amanet moj grua, fëmijët të m’i shkollosh, t’i rritësh si duhet, si dua unë. Pas vetes Hilmiu la dy djemë dhe një vajzë, njërin djalë ende të palindur. Ymer Berisha ishte një atdhetar dhe idealist i shquar. Lindi më 1912 në Gjurgjevik të Madh. Ishte i etur për dituri, i mprehtë në mendime, i zgjuar dhe i shkathtë. Dituria dhe trimëria e tij i duheshin kombit. Gjatë shkollimit u shqua si nxënësi më i mirë. Pas mbarimit të shkollës fillore, nuk u ndal. E kreu Normalen e Elbasanit më 1932, ku kishte fatin ta ketë mësimdhënës dhe drejtor shkolle Aleksandër Xhuvanin. Ymer Berisha ishte njëri ndër djelmoshat të cilët, krahas mësimit, në shpirt e kishin Atdheun dhe Shqipërinë. Ai thoshte: “Patriotizmi është shenjtëri, Kosova shpirtërisht është Shqipëri. Kur të gëzohet Tomori, le të gëzohet edhe Korabi e Sharri”.

   Ymer Berisha kishte studiuar në Universitetin e Romës në Itali, ku ka kryer Akademinë Ushtarake, nga është kthyer i diplomuar në Shqipëri. Ymeri dëshironte të kthehej në Kosovë, sepse Kosova kishte nevojë të madhe për djemë e për vasha të shkolluara. Të kthehej në Kosovë për ta përhapur atdhetarizmin dhe arsimimin e bashkëkombasve të vet.

   E respektonte shumë atdhetarin dhe idealistin e shquar, Hasan Prishtinën, të cilin e konsideronte si njeri të ngritur, si atdhetar e diplomat të shquar. I çmonte trimëritë e luftëtarëve shqiptarë, por e idealizonte veçanërisht trimërinë eAzem Bejtës

e të Shotë Galicës. Profesor Ymer Berisha ishte i palodhshëm e i guximshëm. I përhapte gjithandej idetë e tij atdhetare. Ishte i gatshëm të bisedonte me të gjithë ata të cilët kishin vënë një gur apo ia kishin vënë themelet një Shqipërie të lirë e të bashkuar.

   Ymeri nuk kishte besim te Jugosllavia. E dinte se s’do të realizohej kurrë liria pa pushkë, s’do të realizohej pa pushkë ajo që u vendos në Konferencën e Bujanit. Ai në Drenicë kishte thënë:

“Nuk ka besim te serbët, prandaj duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në bashkimin kombëtar”.

 Madje, me veprimtarinë e tij të palodhur, organizoi masat e gjera popullore, ku gjeti shumë përkrahës. Vlerësohet puna e tij për vetëdijësim dhe ngritje të moralit atdhetar e luftarak me nxënësit e tij dhe me rininë përparimtare.

   Disa herë Ymer Berisha ishte takuar me Shaban Polluzhën dhe Bajram Bajraktarin, atdhetarë me shumë ndikim, edhe pse ata deri në një kohë kishin qenë në njësitë partizane. Ymeri kishte besim të madh te ta, sepse e dinte se ishin njerëz të fjalës dhe të luftës.

  Me një grup të rinisë, që kishte me vete, mori pjesë në Kuvendin e Skënderajt, i mbajtur më 28 tetor 1944. Në këtë Kuvend shpalosi programin e idesë për bashkim me Shqipërinë dhe domosdoshmërinë e luftës për çlirim.

   Ymer Berisha, Gjon Sereçi, Halim Spahiu, Marie Shllaku etj., pas thyerjes së luftës në Drenicë (janar - shkurt 1945), formojnë Komitetin Nacional - Demokratik Shqiptar (KNDSH) me seli në Prizren. Në atë kohë ishin djegur flakë Drenica dhe e tërë Kosova, kurse ishin vrarë në luftime Shaban Polluzha, Mehmet Gradica e shumë luftëtarë tjerë.

   Prof. Ymer Berisha ishte takuar me shumë prijës të çetave luftarake dhe politike, si me çetën e Xhemë Gostivarit, të Lamë Breznicës, të Bahtir Dumnicës, të Shyt Marecit, të Bislim Bajgorës, të Ukshin Kovaçicës, të Ahmet Selacit etj. Profesorin e vranë në një pritë në fshatin Hereç të Gjakovës më 11 korrik 1946, ndërsa 23 nxënësit e tij të Gjimnazit të Ultë, që ishin kryesisht nga Peja dhe Prizreni, i dënuan me burgim në kohëzgjatje të ndryshme, pasi edhe ata kishin qenë pjesëtarë të organizatës së rinisë “Besa Kombëtare”. Kjo organizatë rinore kishte botuar revistën ilegale “Drita e lirisë”.

     Ukë Sadiku. Radhët e luftëtarëve të lirisë ishin të mëdha, aq sa ishte edhe dashuria e madhe për liri e bashkim. Këtyre radhëve iu bashkua edhe Ukë Sadiku, për të cilin i shenjtë ishte Atdheu dhe bashkimi i të gjitha territoreve të copëtuara.

   Uka ka lindur në vitin 1910 në Gjurgjevik të Madh të Llapushës. Ishte djalë që kishte përjetuar katrahurat e kohës dhe kishte mësuar rrugët e vështira të jetës nga i ati, Sadik Rama. Sadiku, bashkë me vëllain e tij, Shabanin, janë rritur nëpër flakët e pushkëve të lirisë, në kohën kur luftërat nuk ndaleshin dot.

   Kur ishte në moshën 10 – vjeçare, në vitin 1920, Uka, bashkë me babain e tij, Sadikun, u vendosën në Shkodër, sepse xhandarmëria serbe ia kishte masakruar familjen, kurse nënën ia kishte djegur në flakë.

   Uka ishte edukuar dhe frymëzuar në Shqipëri për ta parë Atdheun të bashkuar. U kthye në Kosovë me qëllim që ta ndihmonte çlirimin nga okupatorët e ndryshëm, siç ishin serbët, bullgarët, italianët apo gjermanët. Nuk kishte besim në njësitë partizane, sepse e parashikonte tradhtinë e Serbisë dhe të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve e që ndodhi pas luftës, kur u shtua dhuna mbi shqiptarët. Ukën e shohim edhe në luftën e Drenicës, edhe në Shtabin kryengritës të Shaban Polluzhës. Pas formimit të NDSH-së, shpejt u formuan çeta të armatosura, e në krye të tyre ishte edhe Ukë Sadiku.

   Ukë Sadiku plagoset dhe bie në duar të armikut më 17 shkurt 1947 në Sferkë të Gashit. U dënua me vdekje nga Gjyqi Ushtarak në Prishtinë dhe u ekzekutua në vitin 1947.

   Osman Bunjaku ka lindur në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e ka kryer në Fier, sepse rrethanat e atëhershme diskriminuese për shqiptarët kishin kushtëzuar që familja e tij, si shumë familje tjera, të bredhte rrugëve të botës. Familja e tij fatkeqe ishte ndjekur nga regjimi dhe fillimisht ishte vendosur në Turqi, kurse, duke mos mundur ta përballonte jetën e Anadollit, në vitin 1924 ishte kthyer në Shqipëri dhe ishte vendosur në Fier.

   Në këtë kohë edhe familja e Bajram Hazirit - Krasniqit, sikurse ajo e Osmanit, kthehet nga Turqia dhe vendoset në Lushnje. Në Shqipëri e ruan si mbiemër emrin e fshatit Zhilivodë. Në fshatin Shipitullë, komuna e Kastriotit, sot jetojnë mbi dhjetë familje që janë të afërm gjaku të Bajram Hazir Krasniqit.

   Familja e Osman Bunjakut, pa mundur të zërë vend edhe në Fier, në vitin 1941 kthehet në Kosovë. Osmani, në vitin 1942 e deri në vitin 1944, në saje të aftësisë që kishte, sepse e kishte të mbaruar ciklin e ulët të shkollës fillore, ishte zgjedhur komandant i xhandarmërisë në Vushtrri. Sipas Ramiz Qyqallës, Osmani ka qenë një luftëtar i rreptë dhe një orator i mirë. Ishte prej atyre trimave të cilët nuk iu ndanë luftës deri në vdekje.Kishte kontakte me krerët e NDSH-së, si me Hilmi Zariqin, me Ramiz Qyqallën, meAzem Jashanicën e me shumë të tjerë. Me Osmanin shohim edhe figura tjera, që kanë qenë të lidhur me besë, si Ahmet Selacin, Ukshin Kovaçicën etj.

  Çeta e Shaban Bunjakut ishte e rrethuar në vitin 1947 nga forca të mëdha partizane. Pas 48 orëve çeta e shpërthen rrethimin në Lupç të Epërm (mbshtetur në librin e Ahmet Qeriqit: Luftëtarë të NDSH-së (1944 - 1950).

    Më vonë heroikisht kanë rënë, në shtëpinë e Abdullah Bunjakut, Shaban Bunjaku me disa të tjerë. Osman Bunjaku ka rënë në pritë dhe është zënë i gjallë nga OZN-a. Edhe pse Osmani kishte vendosur që i gjallë të mos dorëzohej, u dorëzua për shkak se kishte shumë anëtarë të familjes që ishin vënë para tytave të pushkëve. Nëse do të bënte rezistencë, supozohej se shumë familje shqiptare, që ishin vënë si mburojë, do të ishin vrarë nga shkëmbimi i zjarrit. Osmani ishte dënuar me vdekje dhe ishte ekzekutuar bashkë me luftëtarë tjerë. Në fund u vra mizorisht edhe vëllai i vogël i Osmanit, Rexhepi, i cili mbahej peng për Osmanin.

  Fetah Qyqalla, i lindur në Bardh të Madh, shquhej si njëri mendjemprehtë, me qëndrim, ideal dhe vizion të qartë. Kishte prirje të veçanta të organizimit. Ishte i shkathtë në veprim dhe në beteja dhe orator i mirë, E thërriste popullin për ta përkrahur dhe mbrojtur idenë dhe luftën për Shqipërinë e bashkuar. Fetahu thoshte: - Kjo e drejtë është në anën tonë, sepse edhe Konferenca e Bujanit na e ka lejuar që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Atëherë ne do të qëndrojmë deri në fund për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

   Ramiz Qyqalla thoshte për Fetahun: -  Në një rast, kur zhvilluam një luftë në  mes forcave tona dhe forcave të armikut, aty ushtria jugosllave ka pësuar humbje të mëdha në njerëz. Kjo luftë është zhvilluar në Malin e Sharrit, në afërsi të fshatit Zajaz. Përpos lodhjes së madhe nga lufta që bëmë, ne, po të mos ishte Fetahu, do ta humbnim edhe rrugën. Në mal u lëshua një mjegullë e madhe, sikur një det, kurse ne donim të iknim për në Greqi. Qëndrimi i Fetah Qyqallës ishte tjetër, ai iu drejtua shokëve me këto fjalë: - Ne duhet të qëndrojmë në Kosovë, sepse Atdheu ka nevojë për ne. Asnjëherë nuk guxojmë të mendojmë për të ikur e për ta lënë vendin shkret.

  Fetahu dhe Sinan Tërdeci ishin ata që i ndalën veprimtarët të mos iknin jashtë Kosovës, edhe pse kishte filluar një valë e madhe e arrestimeve dhe burgosjeve, edhe pse po ngushtohej gjithnjë e më tepër hapësira e të vepruarit, edhe pse e dinin se edhe familjet më nuk kishin mundësi t’i mbanin e ushqenin, t’i ndihmonin me ushqime e veshëmbathje.

Fetah Qyqalla ishte një njeri me ndikim (jo edhe strateg i mirë), i cili luante një rol të rëndësishëm; siguronte veshmbathje, ushqim dhe strehim të sigurtë. Për fat të keq, edhe Fetah Qyqalla, si shumë atdhetarë tjerë, në dimrin e madh të vitin 1948 u arrestua dhe u dënua me burgim të gjatë. Për ta mbajtur dënimin, Fetahun e dërguan në burgun famëkeq të Goli Otokut.

  Aziz Zhilivoda. Zona nga vinte Aziz Zhilivoda kurrë nuk  ishte mposhtur nga armiqtë e shumtë. Në këtë zonë, të quajtur Artakollit, në rrëzë të malit të Çiçavicës, ishin thyer keq shumë herë forcat okupuese serbe. Edhe në shtatorin e vitit 1919 serbët, që kishin sulmuar fshatin, ishin thyer keq. Rezistenca e shqiptarëve i kishte detyruar ato të ktheheshin nga kishin ardhur, me kokë të ulur e me ushtarë të vrarë, të cilët i kishin mbledhur gjithandej logut të luftës.Mirëpo, serbët u kthyen shpejt për t’u hakmarrë ndaj popullatës së pafajshme. Me qenë se kaçakët ishin tërhequr në brendësi të Çiçavicës, serbët kishin sulmuar në befasi e pas shpine disa fshatra të kësaj ane, kur vranë shumë njerëz të pafajshëm. Në mesin e të pushkatuarve ishin edhe 12 anëtarë (të gjithë meshkuj) të familjes së Aziz Zhilivodës dhe vajza e Avdullah Krasniqit, Zylfija, e moshës 22-vjeçare, të cilën e kishin masakruar.

   Në këtë familje të fshatit Zhilivodë lindi, Aziz Krasniqi, i mbiquajtur edheAziz Zhilivoda.Azizi, si djalë i ri, ishte betuar se do ta merrte hakun për familjen e vrarë.Ai thoshte: - I gjallë nuk e la pa e marrë hakun! Kurse Ramiz Qyqalla kishte rrëfyer përAzizin: - I pari e merrte në thumb armikun. Rrethatorja e tij nuk ka mbetur kurrë e zbrazur. Plumbat e tij janë ngulur në krenat e armiqve.

  Gjatë okupimit gjerman të KosovësAzizi shërbeu si xhandar në Orllan, Podjevë, Lluzhan dhe Besi. Pas ikjes së forcave gjermane Azizi u detyrua të arratiset dhe të strehohet në malin e Çiçavicës. Në këtë kohë ai u takua me krerët e Shalës së Bajgorës; Ahmet Selacin, Adem Vocën, Jashar Vocën dhe Hetem Vocën. Pasi ra në kontakt me njerëz të NDSH-së, ai u anëtarësua në të, ku njohu dhe veproi me Gjon Sereçin, Ajet Gërgurin, Ramiz Qyqallën, Osman Bunjakun dhe shumë të tjerë.    Ramizi e kishte krah të djathtë Azizin, siç e kishte edhe Ajet Mjeku, Behram Krasniqin, Nebih Mjeku etj. Përmes Azizit ishte njohur edhe me Jakup Avdi Greiçevcin nga Hadja. Për shkak të arratisjes së Azizit, i cili vepronte nga mali, regjimi në vitin 1946 ia burgosi familjen, të gjithë anëtarët, që nga fëmija 6-vjeçar e deri te plaku 81-vjeçar. Familja u vendos në odën e mysafirëve të Hajrë Isufit të Zhilivodës, e cila ishte shndërruar nga OZN-a në burg të improvizuar, kurse pas një muaji e transferojnë në burgun e Vushtrrisë.

   Por, nuk pësoi vetëm familja eAzizit. U përndjekën e pësuan edhe familjet që e ndihmuan me ushqim dhe veshmbathje. Shumë njerëz u detyruan ta kërkonin Azizin nëpër malin e Qiqavicës. Në mesin e tyre ishte edhe Tahir Krasniqi nga fshati Shipitullë, i cili ka treguar: - Ne ishim të detyruar ta kontrollonim çdo kaçubë. Kur e kisha kaluar ashtu një kaçubë, befas m’u afrua një ushtar jevg dhe më goditi pse nuk e kontrollova mirë kaçubën. Ata me armë në dorë qëndronin pas neve, kurse ne duhej ta kërkonim, duke e kontrolluar malin.

   Azizi, pasi nuk mund ta vazhdonte jetën në male, duke parë se si po i keqtrajtoheshin familja, të afërmit,miqtë dhe bashkëfshatarët e tij, vendosi të ikte në Shqipëri, ku edhe ka vdekur.

  AdemVatovci. Kishte pësuar edhe familja e Ismail Vatovcit nga Vushtrria, e cila ishte e lidhur me krushqi me familjen e Azizit dhe të Sherif Terstenës, si dhe me Greiçecët e Hades. Familja Vatovci njihej në këtë anë për trimëri dhe burrëri. Sherif Vatovci, pas dhunës dhe trysnisë psikologjike që kishte pësuar nga regjimi, te ura mbi lumin Sitnicë në Vushtrri, kishte bërë vetëvrasje. Kurse djali i madh i Sherifit, Ahmet Vatovci, ishte detyruar të ikte në Shqipëri.

   AdemVatovci kishte vrarë dy serbë dhe kishte plagosur edhe disa të tjerë. Ishte burgosur, pastaj, në vitin 1948, ishte pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës. Nikë Kajtazi nga rrethi i Prizrenit, i cili, si anëtar i NDSH-së, ka qëndruar me Ademin në burg, tregoi: - Adem Vatovci ishte burrë që nuk i gjendej shoku. Lajmin për pushkatim e priti duke buzëqeshur dhe me krenari. Shkoi në pushkatim pa u trembur fare. Na tha: - Vdekja nuk e mund jetën, - dhe doli nga dera e burgut për ta përqafuar vdekjen. Për të vdekja ishte më e mirë se turpi. Sepse turpin shqiptari nuk e duron. Ademi vdiq si burrë, si hero ( Këtë thënie të Nikë Kajtazit për Adem Vatovcin ma tregoi Hilmi Muzaqi, i burgosur politik, organizator i demonstratave të vitit 1981 në Vushtrri, i cili ka qëndruar me Nikë Kajtazin në Burgun e Lepogllavës në vitin 1981).

   Në vitin 1966, pas Plenumit të Brioneve të Komitetit Qendror të PKJ, familja Vatovci sikur u rehabilitua. Pas 12 vjet qëndrimi në Shqipëri, u kthye djali i Sherif Vatovcit, Ahmeti. Ai kishte marrë pjesë në një mbledhje të organizuar në fshatin Navalan, ku shqyrtohej gjendja politike pas Plenumit të Brioneve. Në mbledhje merrnin pjesë edhe shefi i Sigurimit Shtetëror, S. Rrustemi dhe zëvendësi i tij, njëfar Sima. Në këtë mbledhje ngritet edheAhmeti, i cili, pos tjerash, thotë: - Ngjarjet që kishin ndodhur në fshatrat e Vushtrrisë, përndjekjet, vrasjet, bastisjet ishin bërë me qëllim nga UDB-a. UDB-a nuk i mëshironte shqiptarët. Krimeve u ka pri Novica nga fshati Pamazatin i Fushë-Kosovës, i quajtur Novica i Zi. Për krimet e kryera ata nuk janë dënuar por janë shpërblyer. Ahmetit iu tërhoq vërejtja nga Sadri Rrustemi për fjalët e tij, por ai megjithatë, vazhdoi: - Jam kthyer në Kosovë, jo pse nuk kam dashur të jetoj në Shqipëri, por pse këtu e kam familjen, sepse nëna më kishte mallë. Rroftë populli shqiptar!

 

(PJESA E GJASHTË )

 

Bilbili që vdiq në kafaz, me këngën e fundit

 

     “Vdekja do të ishte shumë e shëmtuar dhe e hidhur, nëse nuk kemi lënë vepra ose njerëz të na kujtojnë”. Riza Strellci ishte atdhetar rapsodist, i cili vdiq me këngën e fundit për liri në gojë. Tërë jetën ia ka kushtuar kombit shqiptar, ishte veprimtar i shquar i kauzës ombëtare.

  Lindi më 6 janar 1904 në fshatin Tërbufc, afër Janjevës. E quanin edhe Rizah Zhegovci, sepse fshati i tij bënte pjesë në malësinë e Zhegovcit. Familja e tij ishte me prejardhje nga fshati Strellc, rrethi i Deçanit. Nga Strellci gjyshi i tij ishte shpërngulur në fshatin Bajashticë të Toplicës, kurse pas masakrave serbe mbi shqiptarët e Toplicës, kishte ardhur në Kosovë, në fshatin Tërbufc. Shkollën fillore katër klasëshe në gjuhën serbe e kishte vijuar në Gjilan, por, për arsyet që dihen, e kishte braktisur. Për shkak të kushteve ekonomike Rizahu shpërngulet sërish dhe vjen në rrethin e Prishtinës, më saktë në Azizi, ish- Milloshevë, ku e ka edhe sot familjen e tij dhe djalin, Mustafë Strellcin.

   Atdhetari i madh Riza Strellci ishte poet autodidakt. Ka lënë në dorëshkrim një numër të këngëve e poezive të bukura. Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë viteve 1944 – 1945, me shpresë se përmes kësaj lufte do të

realizoheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në luftë kishte treguar përkushtim, guxim e vendosmëri. Pas “çlirimit” ishte punësuar në organet komunale.Me qenë se kishte rënë në veshë të organeve të sigurimit shtetëror fjala e tij liridashëse, ishte burgosur dhe pastaj ishte dërguar në Burgun e Nishit, ku edhe ka vdekur.

   Ramiz Qyqalla e çmonte shumë njeriun gojëmbël, rapsodin e atdhetarin, Riza Strellci. Ai tregonte se si Riza Strellci këndonte në Burgun e Nishit. Të burgosurit i mbante me moral të lartë me këngën dhe çiftelinë e tij. Tekstet i krijonte vetë dhe pastaj atyre ua bënte edhe melodinë, për t’i kënduar menjëherë. Kishte thurë vargje me motive atdhetare, por edhe këngë të dashurisë. Ja disa vargje të një kënge të bukur atdhetare:

Nji natë dola me shikju,

Oh sa bukur po zdritë hana,

Aty u ula me ligjru,

Për Kosovë, për vendet tona.

Kqyra bjeshkët ishin bleru,

Plot me pyje e me lavdri,

Na t’mjertë gjith tue vajtu,

Me Kosovë, me Çamëri

( Marrë nga artikulli “Muratori autodidakt” të autorit Sinan Gashi, Zëri,

23 janar 2010)

   Të burgosurit, të cilët kishin qëndruar me të në burg, kanë treguar se Rizahu, pasi e kishte kuptuar se vdekja po i afrohej shpejt, sepse sëmundja e tij nuk kishte shërim, një ditë i thirri të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe u tha: - Hajdeni, o vëllezër, këtu, përreth meje, se po dua t’ua këndoj një këngë që nuk e keni dëgjuar kurrë e kurrë më nuk do ta dëgjoni, se Rizah Strellci epat!

    Pas atyre fjalëve, të gjithë, sa kanë qenë të pranishëm, kanë qarë. Ishte bërë sikur edhe qielli po qante atë ditë.Ajo ditë kishte qenë e zymtë, me shi, me një erë që të çonte peshë. Dhe, Rizahu e këndoi këngën që e kishte krijuar vetë, me një temë interesante:

Hajde, hajde, mori Hatë,

Ta kanë pre ni fustan t’gatë,

Fustan t’gatë e pak të vjetër,

Veshe k’ta se nuk ka tjetër.

     Në momentin e vdekjes Riza Strellci e kishte marrë çiftelinë në dorë dhe, duke ofsharë, i kishte shqiptuar këto fjalë: - Ah, moj e bekuar! Ishte ndalur dhe kishte marrë frymë thellë: - Rizah Strellci më nuk ka me të marrë në dorë! Këto fjalë të fundit i tha dhe fryma filloi t’i rëndohet. Pas tri ditëve vdiq në Burgun e Nishit, duke i lënë të burgosurit shqiptarë në mërzi e pikëllim të thellë. Në fakt Rizahu e kishte kënduar edhe një këngë që nuk ishte dëgjuar më parë dhe as më vonë. Atë këngë enigmatike e kishte thur në burg, të cilën pati rastin ta këndonte vetëm njëherë. Ajo këngë sot e asaj dite mbeti e panjohur. Rizahu shkëlqente si këngëtar i këngëve popullore. Këngët i krijonte dhe vetë i këndonte. Përmes këngës e oratorisë së tij bashkëkohësit, sidomos të burgosurit politikë, inkurajoheshin për qëndresë.

  Për ta siguruar ekzistencën e familjes ishte detyruar të punonte në përpunimin e drurit dhe në ndërtimtari. Nga duart e veta e mbante familjen, kurse në mendjen e tij zhvillohej ideali i lirisë dhe i bashkimit kombëtar. Përmes këngës dhe propagandës që zhvillonte, Rizahu zhvillonte dashurinë ndaj Kosovës, ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë, fliste kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi etj. Ka bashkëpunuar me personalitete të rëndësishme të kohës, si me Ramë Bllacën, Ilaz Agushin, Idriz Gjilanin etj. Rizah Strellci e donte librin, prandaj sillte libra shqipe nga Shqipëria, me qëllim të përhapjes së dijes, të kulturës e të arsimit në Kosovë. Librat më të mira e më të nevojshme për kohën ishin:Abetarja e gjuhës shqipe, poezitë e Gjergj Fishtës, poema e Pashko Vasës “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”, Historia e Popullit Shqiptar, Kodi penal, një libër me vjersha të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, i quajtur “Këngëtore” etj.

   Tahir Krasniqi, nga fshati Shipitullë i komunës së Kastriotit, kujton fjalët e babait të tij të thëna për Rizah Strellcin: - Baba më ka folur shumë për atdhetarin e shquar, Rizah Strellcin. Një herë në Bardh të Madh Rizah Strellci e ndërtonte tavanin e xhamisë së Bardhit të Madh. Dikush e kishte denoncuar se Rizahu ndodhej në Bardhin e Madh, te xhamia, duke punuar. Pas kësaj informate, xhandarmëria e Serbisë kishte nxituar për ta kapur. Baba, me të vëllanë, Hysen Krasniqin, shpejt shkojnë dhe e informojnë Rizahun se xhandarmëria po vinte në drejtim të fshatit. Kështu, Rizahu largohet, duke e kuptuar se xhandarët e paskan mësuar vendndodhjen e tij. Në fillim u strehua te Mullini i Hoxhëve, që gjendej në hyrje të fshatit Bardhi i Madh, ndërsa librat i futi në qerren e vëllezërve Behram e Hysen Krasniqi. Pasi dita filloi të errej, Rizahu tërhiqet nga mulliri me ndihmën e babës dhe të mixhës tim dhe vendoset në kullën tonë. Rizahu qëndron për një kohë në shtëpinë tonë, por më vonë i pamundësohet qëndrimi aty, sepse dikush e kishte denoncuar përsëri në xhandarmëri.

     - Për Riza Strellcin, - shpjegon më tutje Tahiri, - baba e mixha flisnin se ishte në ballë të veprimtarisë atdhetare, por ishte edhe mbledhës i këngëve shqipe. Thoshin se ai sillte libra shqipe nga Shqipëria. Mustafë Strellci, i biri i atdhetarit Riza Strellci, në dhjetor 2007, ka thënë: - Jam shumë i prekur nga shkrime të disa historianëve, ku është shkruar njëanshëm, me pallavra, për disa figura historike. Së pari, janë injoruar. babai im, Rizahu, pastaj Ramiz Qyqalla dhe shumë figura tjera historike, të cilët ishin të merituar për çështjen kombëtare. Shpresojmë se një ditë do të dalin historianë të paanshëm, të cilët do të hedhin dritë për këta heronjë të heshtur. Atdhetarët nuk i përkasin vetëm një familjeje, po tërë kombit. Dhe, është detyrë e të gjithë neve të shkruajmë sa më shumë për këta heronj të çështjes kombëtare e ta zbardhim sa më shumë historinë kombëtare, pa lënë anash asnjë ngjarje apo personalitet. Nuk duhet të bëjmë gara mes vete se kush do të jetë “në maje” e kush “në bisht” të historisë. Kalaja nuk ndërtohet nga pak, por nga shumë argatë.

 

Burgosja e djalit të Ramizit – Sylejman Qyqallës

 

  Në vitin 1979, në mesin e shumë djemve të Kosovës dhe bashkë me bashkëveprimtarët Ramadan Pllana e Shefqet Jashari, është arrestuar edhe djali i Ramiz Qyqallës, Sylejman Qyqalla. Sylejmani, i cili ishte djalë për qejfi i Ramizit dhe i Hajrijes, ishte burgosur si anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, kurse në përkrahje të idealit kishte gjithmonë vëllaun Nuhiun, ku gjatë luftës së fundit të UÇK-ës ishte përkrahës i madh i kësaj lufte. Demonstratat e vitit 1981 kishin shpërthyer dhe kishte shpërthyer edhe gëzimi në zemrën e Ramizit. Iu dhimbëseshin djemtë dhe vajzat që burgoseshin, por nga këto burgosje Ramizi sikur e shihte lirinë. Pas çdo burgosjeje të të rinjve, thoshte: - S’ka dert, nuk u shkon mundi huç..., dalëngadalë po vjen behari! Burgjet e stërmbushura me djemë dhe vasha i shihte si drita që kishte filluar të dilte mbi Kosovë. Për ta ai thoshte: - Drita e diellit ka fillue ta rrezojë Kosovën dhe Shqiptarinë. Kjo rini ka me ia sjell lirinë Kosovës dhe ka me e bashkuar me Shqipërinë.

   Për Ramiz Qyqallën burgosja e djalit të tij të vogël, Sylejmanit, do të ishte një gëzim. Bashkëfshatarët e tij ia kishin parë për të madhe se si ai nuk mërzitej fare, madje e kishin quajtur si njeri të çmendur. Këto fjalë Ramizin nuk e kishin ligështuar, përkundrazi thoshte: - Me gëzim e prita këtë ditë, rrugë të mbarë, o biri im! E kemi Shqipërinë e Enverin, ti mbaje burgun si burrat, mos u mërzit, se vetëm të paburrat mërziten e burrat trimërohen! Dëshira e tij e madhe për ta parë Atdheun të lirë dhe të bashkuar e bënte Ramizin të gëzohej për burgosjen e djalit, ngase lëvizja ilegale për çlirim dhe rezistenca kombëtare po vazhdonte edhe te gjeneratat e reja. Burgosjen e djalit të tij ai e ndjente si afrim të çlirimit dhe të bashkimit të kombit. Ai thoshte: - Po trimat prapë janë ngritë dhe kanë çuar krye, he i paça për mote! Këndonte tërë ditën, kurse tash djalin e vogël të tij e donte edhe më shumë.

    Nëna Hajrije, e cila vet i kishte përballuar vuajtjet e burgut dhe vuajtjet pas burgosjes së të shoqit, Ramizit, në pleqëri po përballej edhe me burgosjen e djalit të saj, Sylejman Qyqallës. E përndjekur dhe e vuajtur, e mësuar për qëndresë edhe nga i shoqi, e kishte të vështirë ta përjetonte lehtë burgosjen e djalit. Kur e kujtonte djalin në burg, i kujtonte edhe vuajtjet e saj dhe vuajtjet e të shoqit, duke thënë: - Unë e di se çka është burgu. Edhe pse i dhembësej pa masë, nëna qëndroi e fortë. Ia kishte bërë hallall gjirin djalit, sepse e dinte se burgu i tij e nderonte atë dhe familjen. E dinte se dikush duhej të bëhej “kurban” për Atdhe.   - Të priftë e mbara, djali im! - i thoshte saherë me zemër të thyer djalit të saj, Sylejman Qyqallës.

    Sylejman Qyqalla (djali i Ramizit) i kishte ngjarë plotësisht të atit për nga atdhedashuria:

     - Nga baba kam qenë i ndikuar drejtpërdrejt, nuk kam mundur të qëndroja indiferent për vuajtjet e popullit tim, - thotë sot Sylejman Qyqalla. Vetë rrëfimet e babait tim për mua ishin si frymëzim dhe shtytje për veprimtari atdhetare. Isha fëmija më i dëgjueshëm i babait. Në saje të edukimit nga ai, edhe unë i hyra të njëjtës rrugë. Jam shumë krenar që jam biri i Ramiz Qyqallës, sepse prej tij mësova dashurinë për atdheun, ndershmërinë, besnikërinë, drejtësinë, shpirtin e mosdurimit për shtypje e nënshtrim.

    Mosha e bënte të vetën për Ramiz Qyqallën. Pleqërinë dhe pasojat e dhunës i ndjente në trup dhe këto e pengonin të ishte në mesin e rinisë përparimtare e atdhetare. Por, Ramizi po e shihte se diçka e madhe po lëvizte përpara pas vitit të madh Si shumë nëna shqiptare që përjetuan tmerret dhe dhembjet për djem të tyre, fati e deshi që edhe Shemsije Krasniqi, një grua e urtë dhe e dashur e një familjeje atdhetare, përjetoi dhembje për djalin e saj të madh, Shabanin. Tri ditë para se ta mbaronte shërbimin ushtarak, Shaban Krasniqi nga dhuna e tepruar ushtarake, me qëllim likuidimi, ushtrojnë turtur më të ndryshme mbi të dhe si pasoj e kësaj turture për tre muaj ishte i shtrirë me gjysmë vetëdije në Spitalin Ushtarak të Beogradit. Fati e deshi që nëna Shemsije të mos mbetet pa djalë, sepse djali i shpëtoi nga vdekja. Shabani e kishte trashëguar emrin e atdhetarit Shaban Kapuçi, që ishte gjyshi i babës.

Veprimtarët e NDSH-së në zonën e Çiçavicës

Bardh i Madh: Ramiz Qyqalla, Rasim Qyqalla e Shaban

Qyqalla (vëllezër),Azem Jashanica,Mulla Hasim Gërguri (ishte

tërhequr më vonë nga organizata), Fetah Qyqalla, Ramë Gashi,

Ymer Pllana, Hasan Jashanica, Hafuz Imer Gërguri. E

ndihmonin organizatën: Ramadan Berisha, Ali Berisha e të tjerë.

Sllatinë: Sylë Berisha, Xhemë Gjuraku.

Bardh i Vogël: Rexhep Sfarça, Feriz Krasniqi.

Lismir: Pajazit Tërnava, Isa Obertinca.

Miradi: Ismail Sllamniku.

Fushë-Kosovë: Ramë Bugujevci.

Zhilivodë: Aziz Zhilivoda.

Grabovc i Poshtëm: Vesel Sogojeva, Kurtesh Berisha.

Grabovc i Epërm dhe Shipitullë: Ajet Mjeki, Behram

Krasniqi, Nebih Mjeki (sipas Ramiz Qyqalles).

 

Programi i NDSH-së

 

1. Në çdo vend (qytet e katund) të formohet “Komiteti i Vendit për Lirimin e Tokave Shqiptare”,

2. Për koordinimin e punës mes këtyre komiteteve të vendit, janë “Komitetet epruere”,

3. Komiteti Epruer varet nga Komiteti Qendruer. Të parët janë në lidhje me komitetet epruere e këta me Komitetin

Qendruer,

4. Çdo komitet formohet nga: kryetari, sekretari, anëtari i parë, anëtari i dytë dhe përgjegjës të ndryshëm, sipas nevojës,

5. Këta i ndajnë detyrat dhe përgjegjësitë sipas nevojës e zotësisë. Drejtimin e përgjithshëm e mbanë kryetari, i cili administron dhe zbaton urdhërat e komiteteve epruere,

6. Sekretari, bashkë me dy anëtarë, kanë: shërbimin e propagandës e të lajmeve, dhe si detyrë kryesore - ndërlidhjen, shërbimin ekonomik dhe politik,

7. Shërbimit politik i takon kujdesja e posaçme. Për këtë çdo komitet formon një trup nën emrin “SIP” (Sigurimi politik). SIP-i e ka për detyrë mbledhjen e informatave mbi personat e ndryshëm dhe heton sigurimin dhe mirëvajtjen e veprimtarisë së komiteteve,

8. Komitetet e vendit veprojnë në marrëveshje në mes të anëtarëve, 9. Komitetet  prore kanë po këta persona; por, nga shkaku se do të kenë më shumë punë, anëtarët do t’i ndajnë detyrat dhe në rast nevoje do të formojnë seksione me referentë dhe përgjegjës.

* * *

Dokumenti tjetër, me rëndësi të madhe për mendimin politik shqiptar është programi i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, i cili përmban këto pesë pika:

Programi i LLTSH

1. Liri dhe pavarësi të plotë, me të drejtë vetëqeverimi, në bazë të vullnetit të popullit, të shfaqur lirisht,

2. Me “tokat shqiptare” kuptohen të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët me mbi 60 për qind, pa dallim si quhet krahina a vendi dhe nga kush është i pushtuar, 3. “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare” nuk ka qëndrim anmiqësor ndaj asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike. Vetëm insiston që në mënyrë kulturore apo me armë të përpiqet ta arrijë idealin shekullor të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetësundues në shtet të vet, me kufij etnikë,

4. Pasi të vendosen kufijtë etnikë, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve, siç janë strategjikë, ekonomikë, politikë etj., në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve, në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë,

5. Në kohë paqe LLTSH nuk do të pushojë, por do të vazhdojë, si shërbim roje të të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshëm, ashtu edhe të atyre të jashtëm, duke u organizuar për regjim me të vërtetë demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanikë.

Kongresi i Katërt i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare Rroftë Shqipnija e vërtetë, me kufijtë e saj etnikë!

Si u zhvillua Kongresi i Lipovicës

(ose: Kongresi i Tretë – (i V-të) i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare - LLTSH, respektivisht i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare – LNDSH) Kongresi III-të i LLTSH apo Kongresi V-të i LNDSH, ndryshe edhe Kongresi i Lipovicës, zhvilloi punimet më 25 korrik 1946, me një vonesë të madhe, për disa shkaqe:

E para, gjatë ardhjes së delegatëve nga degët e NDSH-së, si dhe të grupeve te armatosura në vendin ku do të mbahej Kongresi, u hetuan lëvizje të mëdha të forcave të KNOJ-it dhe të OZN-së,

E dyta, nuk arritën delegatët dhe as përfaqësuesit e grupeve të armatosura nga Dukagjini,

E treta, nuk arriti përfaqësuesi i KQ të LNDSH-së të Shkupit, Kemail Skënderi,

E katërta, nuk arriti as Prof.Ymer Berisha, kurse një “letër”që i arriti Kongresit në emër të tij, se nëse ai (Y.Berisha) nuk do të arrinte me kohë, në vend të tij të fliste Hilmi Zariqi – ishte e dyshimtë, dhe:

E pesta, njësiti i armatosur i Jetullah Zabelit të Rezallës dyshoi në besnikërinë e korrierit për lidhje midis Hilmi Zariqit dhe Prof. Ymer Berishës, pikërisht dyshimi ishte në R. A. Nga Carrabregu i Deçanit, të cilin e arrestoi dhe të lidhur e sollën në vendin e Kongresit.

Ky Kongres u mbajt në një lëndinë, te vendi i quajtur Vorri i Hoxhës në malin e Lipovicës (sot Blinajë), mes fshatrave Risinoc, Krojmir dhe Fushticë.

Për sigurinë e Kongresit ishte kujdesur Istref Sheqa i Çikatovës.

Kongresi i Lipovicës do t’i zhvillonte punimet me këtë:

 

R E N D  D I T E

 

1. Hapja e Kongresit dhe fjala përshëndetëse e kryesuesit te Kuvendit,

2. Raporti i KQ të LNDSH-së për ushtrinë - UPNDSH-në nga delegati i KQ nga Shkupi (ky delegat nuk arriti në Kongres sepse në ndërkohë ishte arrestuar, pjesëmarrësit nuk dinin për fatin e tij, kurse Raporti nuk u mbajt fare,

3. Referati për punën e 0P (Organizatës Patriotike) “Besa Kombëtare”. Në emër të Besës Kombëtare ishte planifikuar të flasë Prof. Ymer Berisha, mirëpo ai paraprakisht, më 11 korrik 1946, ishte vrarë. Këtë fakt kongresistët nuk e dinin, ata

shpresonin se Profesori mund të vonohej,

4. Raporti i punës së 0rganizatës Nr.2 të LNDSH-së, nga Ajet Gërguri,

5. Përgjigjja e 0rganizatës Nr.2 të NDSH-së, për letrën e Komitetit në Greqi dërguar Komitetit Qendror të LNDSH-së në Shkup të datës 5 korrik 1945. Në letrën e Komitetit nga Greqia kërkohej që forcat e armatosura të braktisnin jetën e maleve dhe të emigronin në Greqi. Këtë kërkesë Kongresi, me shumicë votash, e hodhi poshtë, me motivacion se nuk lihen trojet tona dhe familjet nën këmbët e gjakësorëve pushtues. - Të mbrojmë Atdheun, nderin e familjeve e varret e të parëve deri në pikën e fundit të gjakut tonë! – kishte thënë para kongresistëve Ukshin Kovaçica,

6. Që “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare” tash e tutje të quhet: - Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare, shkurt LNDSH,

7. Forcat eArmatosura Shqiptare të quhen: Ushtria Popullore Nacional-Demokratike Shqiptare - UPNDSH, me seli nëMalet e lira te Kosovës,

8. Profesor Ymer Berisha të emërohet kryekomandant i UPNDSH-së dhe kryetar i Lëvizjes Nacional - Demokratike Shqiptare (zgjedhja e Komandantit Suprem dhe ndarja e Ushtrisë Kombëtare në 5 divizione, si dhe për rregullimin disiplinor të ushtrisë sonë),

9. Zgjedhja e Komitetit Qendror të LNDSH-së. Kryetar ishte propozuar Prof.Ymer Berisha, nënkryetarAjet Gërguri, sekretar Gjon Sereçi, si dhe anëtarët e Komitetit Qendror,

10. Emërimi i Shtabit Suprem të UPNDSH në Malet e Kosovës dhe përcaktimi i Zonave 0perative, si dhe ristrukturimi i hierarkisë ushtarake: Njësiti më i vogël të quhet çetë, kurse, sipas zhvillimeve në terren, të krijohen edhe batalione, brigada e divizione; si dhe të bëhet rregullimi disiplinor i Ushtrisë Popullore të NDSH-së, të formohen gjyqet disiplinore në çdo hierarki ushtarake, si dhe gjyqi penal në kuadër të brigadave,

11. Përcaktimi i rregullave për çështjet me rojen, furnizimin e ushtrisë dhe pajisjet e ushtrisë me armatime të nevojshme (pritej përgjegjja e Komisionit të Veçantë të KQ të LNDSH-së, që kishte lidhje me Misionin Ushtarak anglo-amerikan në Tiranë, Shkup, Athinë dhe Romë.

Pjesëmarrësit në Kongresin e Lipovicës

     Kongresi i filloi punimet më 25 korrik 1945, me një vonesë për shumë arsye.

     Pjesëmarrës në Kongres ishin:Ajet Fazli Gërguri, nga Duboci i Drenicës, Gjon Gjergj Sereçi, nga Ferizaj, Ramiz Qyqalla dhe Azem Jashanica, nga Bardhi i Madh, Dan Berisha, nga Bardhi-Fushë-Kosovë, Jetullah Zabeli, i njohur edhe si Jetullah Rezalla, Hamit Emini, nga Skënderaj, Osman Bunjaku e Shaban Bunjaku nga Samadrexha eVushtrrisë,Ahmet Selaci, Shemsi Selaci, Rizah Rexhep Selaci, nga Selaci i Shalës së Bajgorës, Hysen Lutani, Sadik Lutani, Ramë Lutani, nga fshati Turiqec i Drenicës, Imer Ahmeti - Radisheva, nga fshati Radishevë i Drenicës, Mulla Ramë Govori, nga fshati Herticë e Llapit, Ixhaid Nazmi Gafurri, djali i martirit demokrat, Nazmi Gafurri, Hasan Bilalli, Kadri Beba - Ribari, Salih Rexhë Ribari, Hilmi Zariqi e Shaqir Zariqi, nga Baica e Elshanit, Xhemail Buletini dhe Isuf Buletini, bijë të luftëtarit patriot, Isa Buletini, Istref Sheqa Hoti, nga fshati Likoc i Drenicës, Rifat Kotori, Sylë Hajrizi, IslamDomaneku, nga fshati Grackë, Lipjan, Zekë Luma, nga fshati Kraishtë, Nezir Buja, nga fshati Bujan, Ismail Dragusha, nga fshati Rufc i Vjetër, Ibush Mramori, djalë i vëllait të Shemsi Mramorit.

     Në grupin e Shemsi Mramorit kanë qenë: Isuf Rysha me vëllezër, Rexhep Gajtani, Brahim Gajtani, Hajdar Kolevica, Ukë Salihu, Emin Shushica, Sadik Tusha dhe Sylë Tusha, Sylë Zejna, Selim Limani, Osman Abaz Gagica, Feriz Fejzullah Saraçi me të birin Eminin, nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, Arif Shala, Xhemajl Esati, nga Komarani i Drenicës, Shaban Sallova, nga fshati Mazgit i Prishtinës, Nazif Shaba dhe Xhelë Maliqi, nga fshati Gllogoc i Lipjanit, Qerim Selimi, nga fshati Banullë i Lipjanit, Isuf Muharreni dhe Hajdar Muharremi, nga fshati Petrovë e Shtimes, Rrahim Rexha, Rrahman Jetullahu, Osman Jetullahu, Rrahman M. Qeriqi, nga fshati Krojmir, Qazim Zogaj dhe Fetah Bogiqi, nga Komarani i Drenicës, Sokol Brahimi dhe Izet Murati, nga fshati Sankoc, Jahir Sejdiu dhe Tafil Sejdiu, nga fshati Shalë, ish-Sedllar, Hazir Bajrami, Mehmet Arifi, Ismail dhe Shaqir Dugolli, Beqir Bajrami, nga fshati Pjetërshticë, Izet Jetishi, nga fshati Zborc, afër Shtimes, Selim Salihu dhe Ali Besheniku, nga fshati Carralevë, Sadri Duhla, nga fshati Duhle dhe Qerim Ali Gashi, nga fshati Luzhnicë, Ilaz Sadiku, nga fshati Hallaq i Lypianit, Hajredin Mëziu, nga fshati Vërshec, afërMagurës dhe disa luftëtarë të tij nga ky fshat, Bajram Çukovci, nga Cernilla dhe Qazim Leskovci, nga fshatiMirash, HajredinAvdyli, nga Sazlia, Nebih Sahiti, nga fshati Kabash - Prizren, Nebih Jonuzi, nga Rubovci, Tahir Prokupja, nga fshati Fushë e Madhe (ish-Velikopole), Hamdi Tmava, Jetullah Hasani, Rexhep Hyseni, nga fshati Godanc, afër Shtimes, Rifat Mexhuani, nga fshati Siboc i  Kastrioitit, Miftar Gashi, nga fshati Dobrajë - Lypian, Hasan Salihu, nga fshati Korishë - Prizren, Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka, nga fshati Lloshkobare - Ferizaj, ZenelMorina, nga fshati Hade, Beqë Zeqiri, nga fshati Gjurko, Lypian, Ismail Muharrem Ismajli, FejzullahMehmeti, nga Domaneku i Drenicës, Brahim Luta, nga Gllanasella e Drenicës, Imer Radisheva, Imer Bajraktari, Hysen Lutani e shumë të tjerë. (Marr nga Hysen Azemi: Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë)

 

Një vështrim për librin “Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

Parathënia

    Libri historik “Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij” i Mustafë Krasniqit është një sfidë e guximshme që u bëhet historianëve të kohës sonë, sepse historianët janë kompetentë për të shkruar me besnikëri e pa politizime për ngjarjet historike të çdo kohe. Nuk ngurova fare për ta vështruar punën e Mustafë Krasniqit në këtë libër, që është shumë e rëndësishme, si për gjeneratat e tanishme, ashtu edhe për të ardhshmet, të cilat duhet ta mësojnë të vërtetën historike, çfarëdo qoftë ajo. Por, ç’të bëjmë, kur historianët (shkencëtarë), ata të guximshmit, si i madhi Ali Hadri, i cili i sfidoi me argumente historianët serbë e jugosllavë, na mungojnë. Janë dy arsye që më dhanë kurajë për të qenë recensent i librit të Mustafë Krasniqit: E para, sepse autorin e njoha gjatë veprimtarisë së vrullshme të LPK-së, i cili ishte i lidhur në ilegalitet me Xhavit Hazirin, njërin nga udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes sonë, njëkohësisht, njërin nga themeluesit e UÇK-së së lavdishme. E dyta, se Ramiz Qyqallën, këtë atdhetar të paepur, e kemi pasur mik shtëpie dhe njërin ndër shokët më të besueshëm të babait tim, Islam Pllanës. Të gjitha këto argumente, që i shkruan autori i librit për xha Ramizin, i kam dëgjuar shumë herë nga vetë Ramizi, por edhe nga vëllezërit e tij, Rasimi dhe Eshrefi. Gjithashtu, kam pas nderin të takohem dhe të bisedoj miqësisht me Fetah Qyqallën dhe me disa kushërinj e miq të Sylejman Qyqallës, djalit të Ramizit. Kam shkuar shpesh në Bardh të Madh, te vëllai i Ramizit, Rasimi, i cili m’i tregonte këto të dhëna, të cilat sot i shkruan Mustafë Krasniqi. Përshëndetja e parë që kam pasur me xha Ramizin, sa herë që e kam takuar, ka qenë: “Rroftë Shqipëria Etnike!” Pastaj, gjatë bisedave me të, kurrë nuk e ka lënë pa m’i recituar vargjet e poemës atdhetare të Pashko Vasës “O, moj Shqypni, e mjera Shqypni”, si dhe poezi e citate të vëllezërve Frashëri. Ramizi kishte konsideratë jashtëzakonisht të madhe për heronjtë kombëtarë, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, kurse shpesh fliste edhe për udhëheqës të NDSH–së, me të cilët kishte pasur takime të veprimtarisë ilegale, si me Gjon Sereçin, Ajet Gërgurin, Selman Rizën etj. E donte Shqipërinë e Enver Hoxhës, për të cilën thoshte: “Edhe kjo Shqipëri po mos të ishte, neve, krejt shqiptarëve do të na prente e grinte Serbia”. Thoshte: “Evropa plakë na tradhtoi edhe njëherë, duke e përkrahur Titë - kurvën e duke e tradhtuar Enver Hoxhën”. Ramiz Qyqalla kishte pajtuar shumë gjaqe e ngatërresa. Ishte shumë i drejtë në pleqërim dhe kishte besim të madh në popull. E kujtoj një mendim të tij, të cilin ma tregonte babai im: “Burrëri është me falë, ligështi është me u vra me vëlla”. E përdorte shpesh këtë fjali të urtë gjatë pajtimeve të gjaqeve. Ramizi ka qenë një autodidakt i shkëlqyer, ndonëse kishte kryer vetëm disa klasë të fillores. Uroj qëMustafë Krasniqi të ketë suksese të tjera dhe kurajo, në mënyrë që edhe në të ardhmen të shkruajë libra të tillë, të cilët do të jenë si një pasqyrë e vogël dëshmimi për gjeneratat e ardhshme, sidomos për ata që duan të merren me shkrime e ngjarje historike.Ma thotë mendja se Mustafa, me këtë libër, jo vetëm lexuesit, por dhe historiografisë, i ofron ndihmesë të madhe për të pasur ide dhe material dhe për të hedhur dritë mbi ngjarje e heronj, të cilët gati i ka mbuluar mjegulla e harresës. Në anën tjetër autori i këtij libri me vlerë u bën nderë heronjve dhe ngjarjeve historike kombëtare të disa periudhave.

Ramadan Pllana

 

Pasthënie

 

     Në përpjekjet e mia për ta bërë këtë libër sa më me vlerë, duke mos iu shmangur asnjëherë argumenteve, kam kërkuar e kam shfletuar shumë faqe të internetit, kam lexuar shumë libra, kam kontaktuar me shumë njerëz - dëshmitarë të kohës. kanë dhënë informata edhe shumë persona të interesuar. Falënderoj dëshmitarët dhe të afërmit e atdhetarëve, të cilët kanë evokuar kujtime me vlerë për ngjarje e personalitete me rëndësi dhe me interes për këtë libër. Njëri nga ata, të cilët kanë dhënë kontribut të madh dhe të veçantë, është edhe Sylejman Qyqalla. Ndihmë më kanë dhënë edhe BajramMjeku, Ramadan Pllana, IlmiMuzaqi, Tahir Krasniqi, Ramadan Krasniqi e shumë të tjerë. Material, si dëshmi, kam vjelë edhe nga ueb-faqet e radios “Kosova e lirë”, “Pashtriku” dhe “Albaniapress”. Shënime kam marrë edhe nga libri i Ahmet Qeriqit, nga kam nxjerrë fotografitë e Gjon Sereçit, Ajet Gërgurit, Hilmi Zariqit dhe Osman Bunjakut. Shënime e të dhëna historike kam marrë edhe nga familja e Ramiz Qyqallës (Ramizin kam pas nderin ta njoh sa ishte në jetë), nga kushërira e tij, Shemsije Qyqalla - Krasniqi, nga Tahir Krasniqi e Ramadan Krasniqi, si dhe nga shumë të tjerë. Bashkë me ta ne kemi hedhur pak dritë për disa atdhetarë, të cilët ishin lënë në harresë. Lexues të nderuar! Duhet ta merrni këtë libër si një përpjekje modeste për ta nxjerrë në dritë një periudhë historike, të lënë anash nga historiografia jonë. Jam plotësisht i bindur se kam lënë shumëçka pa e shkruar e pa e paraqitur para lexuesit të këtij libri. Lus lexuesin e nderuar që përpjekjet e mia, lëshimet e mungesat, t’i marrin si të natyrshme. Duke e përmbyllur këtë libër, po ua jap porosinë, që rrjedh nga atdhetarët tanë: - Mos pranoni kurrëfar kompromisi me serbët e as kurrëfar opsioni tjetër, përveç Bashkimit Kombëtar. Lufta nuk do të ndërpritet deri në bashkimin e trojeve tona etnike shqiptare. As Shqipëri e Madhe, as Shqipëri e Vogël, po aq sa është Shqipëria”! (Ymer Berisha) Ramiz Qyqalla, vdiq me emrin “Shqipëri” në gojë, duke thënë: - Të gjithë shqiptarët janë Shqipëri! Do ta fitojmë lirinë, po e shoh me sy! - Ruajeni Shqipërinë, ajo është shpirti ynë, ne pa të nuk mund të jetojmë. Nëse nuk luftojmë për t’u bashkuar, gjaku na u mallkoftë. Nëse ka ndonjë shqiptar që del kundër bashkimit, i qoftë i mallkuar gjaku dhe e mallkoftë toka ku shkel me këmbë. Duane Shqipërinë, Shqipërinë e Bashkuar, se ajo është jeta, është gëzimi, është lumturia jonë. Vetëm Shqipëria Etnike për ne shqiptarët është zgjidhje fatlume.

Rrnoftë Shqipëria e Bashkuar!

 

Fjala e redaktorit

Një përpjekje e çiltër për t’i zbardhur ngjarjet e personalitetet historike

 

Lexuesit po marrin në dorë edhe një libër të mirë që flet për ngjarje e personalitete, deri tash të panjohura apo pak të njohura, nga veprimtaria e begatshme, por e shkurtër, e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) në një rreth të caktuar, kryesisht në zonën e Artakollit, buzë malit të Çiçavicës - në fshatrat e Kastriotit, të Vushtrrisë, të Fushë-Kosovës etj. Edhe pse historia jonë më e re i njeh shumë pak veprimtaritë dhe përpjekjet titanike të kësaj organizate atdhetare dhe të shumë atdhetarëve të kësaj ane, autori i librit, Mustafë Krasniqi,ka arritur që me sukses t’ia paraqes opinionit tonë lexues një mori faktesh për ngjarje e personalitete historike të panjohura apo pak të njohura, me në qendër atdhetarin e shquar, Ramiz Qyqallën. Përshkrimi i ngjarjeve dhe personaliteteve në këtë libër tregon qartë se shqiptarët e Kosovës, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin pajtuar të jetonin në robërinë e re të maskuar me liri, me barazi e me vëllazërim – bashkim. Përkundrazi, ata, edhe pse të lodhur nga luftrat e shumta dhe nga varfëria e skajshme, filluan të organizoheshin, me qëllim të fitimit të lirisë dhe të ribashkimit me shtetin amë - Shqipërinë. Rrethanat shoqërore e politike të kohës nuk i mundësuan kësaj organizate dhe popullit tonë të realizonte aspiratën për liri dhe bashkim kombëtar, por ajo i vuri themelet e një rezistence kombëtare dhe i tregoi botës se shqiptarët kurrë nuk do të pajtohen të jetojnë të robëruar. Libri që kemi në dorë ka edhe mangësi profesionale të të shtjelluarit të lëndës, është modest në pasqyrimin e ngjarjeve e personaliteteve historike. Ai nuk mëton ta thotë fjalën e fundit për këto ngjarje e personalitete që shtjellon. Më shumë është një grishje, një thirrje, një sfidë për historianët, në mënyrë që ata të mos i lënë pasdore, por ta kthejnë vëmendjen e tyre drejt realitetit historik, drejt ngjarjeve e personaliteteve historike pa anime politike e pa hile „shkencore“. Dhe, krejt në fund, dua ta përgëzoj autorin, i cili na dha këtë libër, dhe përmes tij na njohu me një faqe të historisë, të përpjekjeve, vërtet titanike, të organizatës së parë politike ilegale të shqiptarëve të këndej kufirit.

 Berat Luzha

 

Për autorin e librit

 

     Mustafë Krasniqi u lind në vitin 1966 në fshatin Shipitullë, Kastriot. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmen dhe studimet universitare në Prishtinë. Si i ri hyri në radhët e grupeve ilegale LPRK (LPK). Poashtu ishte edhe kryetar i KMLDNJ-së për komunën e Kastriotit. Aktivitetet e tij ishin të pandalshme. Ishte i angazhuar edhe në aksionin gjithëkombëtar për faljen e gjaqeve. Mustafa ishte njëri nga ata djem që pati fatin t’i njihte dhe të vepronte me shumë atdhetarë - dëshmorë të kombit, si me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Xhavit Hazirin e të tjerë. Poashtu ishte edhe njëri nga drejtuesit e demonstratës së vjeshtës së vitit 1989 dhe i shumë proceseve të rëndësishme të ilegales dhe të luftës së fundit të UÇK-së. Si nxënës filloi të merret me krijimtari letrare, si dhe me shkrime gazetareske, analiza, kritikë dhe intervista. Poeti ka të botuar përmbledhjet me poezi: ”Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“, “Lumëgjaku”, ndërsa kjo është vepra e tij e tretë.

 

Ndihmuan për mbledhjen e shënimeve:

 

Sylejman Qyqalla - Bardh i Madh

Akile Qyqalla - Bardh i Madh

Mustafë Strellci - Vushtrri

Ramadan Pllana - Vushtrri

Ilmi Muzaqi - Vushtrri

Bajram Mjeku - Kastriot

Tahir Krasniqi, Kastriot

Ramadan Krasniqi - Kastriot

Feriz Mehmeti - Gjilan

Familjet e Ramiz e Fetah Qyqallës, familjet Berbatovci,

Strellci, Konjuhi etj., si dhe bashkëbisedues tjerë.

 

Burimet e lëndës:

Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së (1944 - 1950), Prishtinë, 2005

Dr. Islam Dobra: Lufta e Drenicës (1941- 1945), Prishtinë,1997

Muhamet Mjeku: Vdekja në Bunker, Prishtnë, 1996

Hysen Azemi: Nacional Demokratikja Shqiptare e Kosovës, VjetariXXV-XXVL, Prishtinë, 2001

Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë...

Artikulli “Muratori autodidakt” i autorit Sinan Gashi, Zëri, 23 janar 2010 etj.

Nga ditari i Sylejman Qyqallës.

 

Pasqyra e lëndës

Një vështrim për librin “Faqe të panjohura të historisë së NDSHsë

- Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij”

Parathënie

Ata që ranë në altarin e lirisë

Një historik i shkurtër për fshatin Bardhi i Madh

Kush u ekzekutua mbi baza etnike?

Ramiz Qyqalla, njeriu që tërë jetën ia kushtoi atdheut

Lufta te Ura e Pestovës, njëra nga qëndresat e Çiçavicës

Lufta që u zhvillua te fshatrat Kollë e Bruznik

“Nuk e dorëzoj armën kurrë për së gjalli!”

Dëshmia e Ramiz Qyqallës për Tivarin

Formimi i komitetit lokal dhe i njësive të armatosura

Ata nuk i besonin propagandës së regjimit të Titos

Kongresi i Lipovicës

Ramiz Qyqalla - luftëtari që mori përgjegjësinë mbi vete

Në Malin Sharr, për jetë a vdekje

Arrestimi dhe burgosja e Ramiz Qyqallës

Ramiz Qyqalla ishte arsimdashës i flakët

Nuk durohej që kësaj toke t’i digjen edhe rrënjët

Bilbili që vdiq në kafaz, me këngën e fundit

Burgosja e djalit të Ramizit - Sylejman Qyqallës

Përfundimi i shkrimit.

( Pashtriku, mars 2011)

..

 

 

Pjesa e IV’të

 

 

“FAQE TË PANJOHURA TË HISTORISË SË NDSH’së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

Shkruan: Mutafë Krasniqi

 

Arrestimi dhe burgosja e Ramiz Qyqallës

 

     Ramiz Qyqalla ishte burgosur shumë herë. Në burgosjen e fundit, në dhjetor 1947, ishte torturuar rëndë, sa kishte rënë në peshën 27,4 kilogram. Mirëpo, me gjithë torturat dhe vuajtjet, vdekja Ramizin nuk e gjeti. I lodhur tepër dhe i rrahur deri te humbja e vetëdijes, me duar të lidhura, si një Promethe, me forcë ua kthente, si për inat të tyre: - Po, po, unë e di ku i kam shokët e s’u tregoj! Ja, ku më keni, bëni ç’të doni me mua!

     - Kur ishte në pyetje familja, atëherë njeriu sikur ligështohet. Isha i vetëdijshëm se sakrifikohej një familje për një njeri, e ai isha unë. Nuk dëshiroja të sakrifikohej familja për mua. Ishte e ditur se më, si organizatë, nuk kishim mundësi të bënim asgjë, se ishim të shpartalluar. Shumë nga shokët ishin vrarë, ishin burgosur ose ishin arratisur. Atëherë vendosa të dorëzohem, - ka shpjeguar Ramiz Qyqalla.

     - Para dorëzimit, - ka rrëfyer Ramizi, - tri javë kam qëndruar në grazhd të lopëve, ku kam biseduar vetëm me veten dhe kam menduar shumë, e kam përcjellur çdo lëvizje të UDB-së. I kam dëgjuar se çka flisnin ata kur më kërkonin mua, duke mos kursyer asnjë metodë ndaj familjes, ndaj vëllezërve të mi. Kjo m’u bë barrë e madhe dhe thosha me vete: - A rri burri kështu i ngujuar? Mendja më thoshte:

     - O Ramiz, dil bre burrë e shpëtoje familjen! Ky mendim çdo ditë e më tepër më mundonte. Në ato mendime, e dëgjova zërin e Milosavit duke e pyetur vëllain tim, Rasimin:

     - Ku është Ramizi, a mos është parë këndej pari...?

     - Nuk e kemi parë moti këndej Ramizin - i thoshte Rasimi Milosavit.

     - Ai më nuk kthehet se e di që nëse kthehet, do ta zini të gjallë.

     - Unë nuk ua thosha të vërtetën, - thoshte Rasimi, - edhe pse e dija mirë ku ishte i strehuar, pasi vetë e mbaja dhe e ushqeja. Kur ia dërgoja ushqimin vëllait, më parë shkoja dhe e merrja një krah kashtë. Në kashtë e fusja bukën dhe ujin dhe ia çoja në grazhd. Vizita e Milosavit dhe e xhandarmërisë ishte pothuaj e përditshme. Një ditë, kur erdhi Milosavi,me një taktikë të ndryshuar,m’u afrua e më tha:

     - Rasim, a e ke parë Ramizin? Unë, si zakonisht, ia ktheva: - Jo, nuk e kam parë dhe nuk e di ku është. Atëherë ai më urdhëroi: - Thirr, o Ramiz, e ai ndoshta vjen. Unë u detyrova ta thërras, edhe pse e dija se në grazhd është Ramizi. Kisha frikë se ai do të përgjigjet e do të del. Po të mos thirrja, ia shtoja dyshimin se ai ishte aty pari. Kështu, vendosa ta thërras, duke iu lutur zotit që ai të mos përgjigjej. Dhe, e thirra: - O Ramiz-ooo!, - me një zë të shterur. Kur, papritmas më përgjigjet Ramizi: - Ohoja! Për mua ato momente ishin shumë të vështira, veç sa nuk më lëshoi shpirti, sepse isha i bindur se do ta marrin e do ta pushkatojnë.

   Më pastaj ka rrëfyer vetë Ramizi:

     - Dola disi nga ajo birucë. Kur më pa Rasimi, u ba i verdhë si limoni. Kishte arsye, se më kishte vëlla dhe kishte qenë dëshmitar i torturave që ishin ushtruar mbi mua dhe shokët e mi. Rasimi më kishte ushqyer si fëmijën, në grazhd. Pasi u dorëzova, Milosavi më vuri para kalit, dhe më dërguan në drejtim të Fushë - Kosovës. Gjatë rrugës ky çetnik, i hipur në kalë, e ngadalësoi të ecurit dhe m’u afrua, u bë sikur donte tëmë shpëtonte, më tha:

     - Ramiz, o burrë, ik, se shpëtim nuk ke. Unë kishe po të ndjek e ti shpëton. Unë e kuptova se ky çetnik donte të më ekzekutonte pa gjykim, gjoja se unë tentova të ikë. Kurse unë ia ktheva:

     - A s’po më sheh se si jam lodh, nuk mundem as me ik, se me pas pak forcë, nuk isha dorëzuar kurrë në dorën tande, o Milosav. Pas Fushë-Kosovës më dërguan në Burgun e Prishtinës, ku më kanë torturuar sa më tej nuk shkon, sidomos me shkop të rrymës. Kjo torturë ishte më e vështira, sa iu luta zotit të ma mirrte shpirtin e të mos përjetoja më shumë mundime. Për mua nuk kishte më vlerë jeta dhe nuk mendoja më të jetoja. Por isha i vendosur që shokët të mos i tregoja, sepse e dija se do t’i zinin, sikur mua, dhe bashkë me mua, do të na pushkatonin. Një ditë, pasi aq shumë më kishin munduar, u trimërova dhe ju thashë: ”Po, i di ku janë shokët, por kurrë nuk do t’ua tregoj. E mua ja ku më keni, bëni çka të doni me mua. Nganjëherë më merrnin edhe me të mirë:

     - A po e sheh, bre Ramiz, mbarove ti dhe familja jote. Në katundin tënd janë ndërtuar shtëpi të reja dhe janë pasuruar njerëzit e për ty nuk mërzitet askush. Mos e merr veten në qafë, mos u bën budalla. Pse ti, fukaraja, po e çon kryet? A po e sheh se asnjë pasanik nuk po bën zë? Unë ua ktheja: - Mua nuk më intereson për askënd, më intereson për fytyrën time.

     Edhe pse edhe familjen ia kishin burgosur, atij aspak nuk i ishte thyer morali. Sepse Ramizi nuk e donte jetënme njolla, por e donte të pastër, ashtu çfarë ai ishte i bindur dhe i tillë mbeti tërë jetën. Në burg, pos familjes së Ramizit, e kishin marrë edhe familjen e të vëllait të tij, Shabanit, kurse herë pas here e burgosnin edhe vëllain tjetër, Rasimin, i cili kishte mbetur në shtëpi. Kështu, për familjen e tij më nuk kishte se kush të kujdesej.

     Për torturat e tmerrshme që i kishin bërë Ramizit, rrëfente edhe bashkëshortja e tij, Hajrija. Ajo rrëfente:

     - Eh, si e kam pa Ramizin në burg. Kishte lëshuar një mjekër të madhe, deri në gju. S’kishte mbetur as njëzet kile. Mendoja se më nuk do ta shoh kurrë. Kishte mbetur si hije. Fytyra e tij e parruar të trishtonte, ishte si njeri i vdekur. Vetëmhija e tij dukej se rrinte në këmbë! Kur kam shkuar në burg për ta vizituar dhe kur e kam parë në atë gjendje, jam tmerruar. Por njeriu qenka më i fortë se guri. Jam mbajtur mirë dhe e fortë. Isha e detyruar të mbahem. Kam dashur ta mbroj nderin e burrit dhe të familjes sime, por e kisha edhe për inat të atyre të UDB-së, që ishin në burg. Po, më kujtohet mirë, pasi hyra te dera e burgut, më doli përpara tradhtari Ali Shukria, që kishte një fytyrë të çartur:

     - Paske ardhë ti, gruaja e ballistit, me e pa këtë “tradhtar” të shtetit tonë. Unë ia ktheva: - Kam ardhë me e pa burrin tim, Ramiz Qyqallën. Ai më tha:

     - Nëse don ta shohësh burrin tënd, hiqe ferexhenë. Unë ia ktheva: 

    - Kot më mundoni, unë jam gruaja e tij. Derisa ai të më jep leje, unë nuk do ta hiqi ferexhenë. Vetëm urdhëratë e tij i njoh unë.

   Kjo nënë trime tregonte edhe për njerëzit që flisnin shqip, por që e bënin punën e huaj, për ata të cilët e përbuznin familjen e Ramizit dhe që ishin të gatshëm të spiunonin te armiku.

   Hajrije Konjuhi - Qyqalla, e lindur në fshatin Prugoc, ishte bija e Konjuhëve, e një

familjeje të njohur atdhetare. Nga kjo familje rridhte trimi dhe bashkëluftëtari i Azem Bejtes Mehmet Konjuhi. Nënë Hajrija pesë muaj ka qëndruar në burg. Ajo ka rrëfyer kështu për vuajtjet në burg: - Në burg kemi vuajtur shumë, edhe pa hëngër e pa pi. Për 24 orë të ditës na kanë dhënë vetëm një të katërtën e bukës dhe grurë të zier me pak kripë e më shumë me ujë. Mbuloja të burgut nuk kemi pasur, por na sillnin nga shtëpia. Por, kush të na sillte kur nuk kemi pasë thuaj se askënd jashtë. Rasimi, i vetëm, kujdesej për shtëpinë, por edhe ai ishte më shumë në burg se sa në shtëpi. Ishte vajza ime e madhe, Ajshja, ajo që kujdesej për shtëpinë, sepse ajo nuk kishte qenë në shtëpi kur UDB-a e mori familjen në burg. Në burg më mbanin më shumë në izolim, sepse nuk tregojsha asgjë për Ramizin dhe për shokët e tij, edhe pse shumë gjëra i kam ditur. Hetimet m’i bënin pothuaj çdo të dytën ditë në një dhomë tjetër, për të mos më parë fëmijët duke më goditur në fytyrë e në kokë. Më goditnin edhe me shqelma, sa më përgjakshin. Kur kthehesha në dhomë, te fëmijët dhe kunata, fëmijët më pyesnin: - Çka u bë, nënë? Kurse unë u thosha: - Kurgjë, kurgjë, u rrëzova në oborr... Hajrije Qyqalla kishte mbetur në shtëpi edhe si burrë e edhe si grua. Ishte mbajtëse e vetme e familjes. Ishte e detyruar të shkonte edhe të priste dru në mal. Në një rast, kur ishte e detyruar të shkonte në mal për të prerë dru, disa bashkëfshatarë të Ramizit bisedonin për të: - O Milosav, gruaja e Ramiz Ballistit ta preu krejt malin! Këto ishin fjalë të rënda për një grua shqiptare, aq më shumë kur burri i saj ishte në burg për lirinë e popullit. Aty kishte qëlluar Ramadan Gashi, i cili, kur i kishte dëgjuar ato fjalë fyese, nuk ishte përmbajtur, por u kishte bërtitur: - Ah, zoti ju marroftë, a s’po ju vjen marre me fol për këtë grue, në vend se t’i ndihmoni!

    Kjo grua, e ardhur nga një familje atdhetare e Prugocit të Prishtinës, shquhej për trimëri dhe burrëri. Shpesh thoshte: - Kurrë nuk jam ligështuar, sepse e kam ditur se Ramizi nuk ka dëshirë që gruaja e tij të ligështohet. E kam ditur se Ramizi ka luftuar për këtë popull, e nuk ka bërë ndonjë marre. Për këtë jam përpjekur me çdo kusht të ja ruaj nderin atij dhe familjes sime. Edhe familja ime Konjuhi ka dhënë shumë për këtë vend. Për Ramizin dhe Hajrijen tregonte edhe kushërira e tij, Shemsie Qyqalla - Krasniqi, e martuar në fshatin Shipitullë. Ishte një grua trime, e cila e njihte aritmetikën dhe leximin në gjuhën arabe: - Kjo Serbi na i hëngri djemtë tonë më të mirë. Bali Ramiz ka vuajtur shumë për shqiptarët. Eh, sa e do Shqipërinë dhe Enver Hoxhën! Trupi i tij e di se çka ka hequr. Po edhe inxhja Hajrije ishte një grua, më burrë se shumë burra! Ajo e ka ruajtë nderin dhe ia ka dhënë besën Ramizit dhe familjes. Ka qenë shumë vështirë për të, si grua, sepse ishte edhe grua, edhe burrë, ishte edhe nënë, edhe babë. Edhe inxhia Akile e balit Fetah ka heq shumë. Këta e kanë mbajtur Azem Jashanicën të fshehur shumë kohë.

 

Ramiz Qyqalla ishte arsimdashës i flakët

 

   Ramizi përherë e përsëriste thënien e tij se “vetëm lufta na e sjell lirinë”. Ishte njohës i mirë i historisë ballkanike, sidomos i konferencave, i pakteve, i samiteve, i traktateve ndërkombëtare antishqiptare, në të cilat u copëtuan trojet tona. Veç njohurive të përgjithshme, ishte edhe një si gjeodet autodidakt, i cili e njihte një lloj matematike të çuditshme. Në bashkëpunim me disa inxhinierë, e ndau tokën e Bardhit të Madh në parcela për banorët e fshatit. Nuk mund të besohej se ai ishte një person vetëm me gjysmë shkolle fillore. Disa fshatarëve, të cilët ndërtonin shtëpi si pallate e krijonin pasuri nën okupim, ua zinte për të madhe. Shpesh thoshte:

     -Armiku nuk do pallate, as pasuri, ai e do pushkën në lule të ballit! Në këtë kohë disa bashkëfshatarë filluan edhe ta përqeshnin, sepse ai po dilte kundër shtetit. Atë shtet Ramizi e shante hapur:

     - Ua dh... këtë shtet, shtetin e Titës. Ishte kundër atyre shqiptarëve të cilët Titën, siç thoshte ai, e mbanin nën këmishë. Për fat të keq të tillë ka pasur mjaft. Por, nuk duronte dhe ishte i rreptë ndaj atyre që flisnin keq për shtetin amë - Shqipërinë. Të vetmen dëshirë e kishte ta shohë Shqipërinë të bashkuar. I urrente ata të cilët ishin indiferentë ndaj çështjes kombëtare apo që kishin lakmi të tepruar për pasuri.

    Ramizi e kishte për shpirt Enver Hoxhën, kur thoshte:

     -Enver, o i biri i kombit, të lumtë që ua ngrite peshë shpirtin rinisë, që po lufton për të bukurën Shqipëri të Bashkuar! Fjalimet e Enver Hoxhës thuaj se i kishte mësuar përmendësh. Shpesh e përsëriste fjalinë:

     - O të lumtë na, po na vjen Shqipëria! Me këtë ndjenjë binte e zgjohej çdo ditë. Edhe pse ishte fetar, ai gjithmonë i recitonte vargjet e Pashko Vasës: -Mos shikjoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht Shqiptaria.

   Ramiz Qyqalla njihej edhe si një arsimdashës i flakët. Çdo hapje të shkollave, kudo që hapeshin, e gëzonte shumë. Hapja e Universitetit të Prishtinës e kishte emocionuar aq shumë, sa kishte filluar të qante nga gëzimi. Veçanërisht i gëzohej shkollimit të femrave. Kudo që i shihte vajzat duke shkuar apo duke u kthyer nga shkolla, u thoshte:   

     - O, ju paça sa malet, shkodranet e bacës!

     - Im at, - thoshte Sylejman Qyqalla, - ka ditur përmendësh shumë vjersha e këngë atdhetare. Për herë të parë, si fëmijë, kam dëgjuar nga ai për heronjtë e Shkodrës. E dinte thuajse në tërësi “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës. Më kujtohet se në atë kohë baba sillte shumë libra. Ku i merrte, nuk e dija, por e dija se kishte takime me Sadik Tafarshikun, i cili merrej me shitjen dhe shpërndarjen e librave. Këndonte këngë për Çamërinë, për Janinën, për Prevezën, për Dedë Gjo Lulin, për Avni Rustemin, për Azem Bejtën, për Elez Isufin, për Oso Kukën dhe për shumë atdhetarë tjerë.

Kënga e tij më e preferuar ishte:

Ah mor Titë, mor qeni plak

Qysh shqiptarëve u hyne n’hak?

More Titë, mor faqezi

A e din se k’tu asht Shqipni?

Mlidhi ment me klysht e tu

Mlidhi ment ti me Dushanin,

Se krejt shqipet pa u faru’

Kurrë Serbisë s’ja lamë vatanin.

Jem’ shqiptarë e kem’me metë

Se këtu jemi para diellit!

Kem’ dragoj, trima me fletë

Bijtë e shqipes, të Skënderit.

Sipas të gjitha gjasave këtë këngë e kishte krijuar vetë Ramizi.

   Sylejmani vazhdon rrëfimin për babain e tij: - Kam dëshirë t’i përshëndes dhe t’i respektoj të gjitha familjet ku ka qëndruar im at dhe ku ka gjetur ngrohtësi shpirtërore. Im at më fliste me admirim për shokët dhe për njerëzit të cilët e kishin ndihmuar, për njerëzit të cilët e kishin strehuar. Fliste veçantë për familjen e Behram, Hysen e Avdullah Krasniqit të Shipitullës, pastaj për Ajet e Nebih Mjekiqin, etj. Për familjen Mjekiqi kishte admirim të madh, sepse ajo ishte e përkushtuar për çështjen kombëtare, kurse pasurinë e saj ia kishte dedikuar thuajse tërësisht lëvizjes së rezistencës. Porosi e tij ishte që edhe unë këto familje t’i respektoja e t’u isha mirënjohës. Më duhet të them se baba im ishte shumë i dashur, i qetë e me humor në familje, por gjithashtu i dashur ishte edhe për bashkëfshatarët, të cilët e nderonin dhe e respektonin.

 

Nuk durohej që kësaj toke t’i digjen edhe rrënjët

 

Ku s’ka luftë, s’mund të ketë as fitore (B. Bjornson)

 

     Shqipëria ishte ideali që i bënte trimat të ndihen të fortë, të kenë besim në vetvete. E tërë shpresa e trimave mbështetej në shtetin amë – në Shqipërinë administrative, e cila kishte shtetësi dhe pavarësi pa gjysmën e territoreve të saj. Në saje të këtij besimi, në pjesën e shqiptarëve që gjendeshin nën thundrën e ish-Jugosllavisë së Titos, lindën shumë trima, atdhetarë të devotshëm, të cilët ruanin amanetin e të parëve në zemër: - Ruajeni Shqipërinë. Në radhët e armatës së atdhetarizmit, në mesin e shumë të tjerëve, u radhitën edhe Ymer Berisha, Gjon Sereçi, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku, Ramiz Qyqalla...

     Ramiz Qyqalla ka njohur dhe ka bashkëpunuar me personalitete të rëndësishme të atdhetarizmit shqiptar, sime Tahir Berishën, me Rifat Berishën, me atdhetarin e gjuhëtarin e njohur, Selman Rizën, me atdhetarin dhe rapsodin e shquar, Riza Strellcin (ka vdekur në burgun famëkeq të Nishit), me Sadik Tafarshikun, me Mulla Idriz Velekincën e me shumë të tjerë.

     Azem Jashanica (1914 - 1947) ka lindur në Bardh të Madh, me prejardhje nga fshati Jashanicë i Toplicës (tash në Serbi). Ishte bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Ramiz Qyqallës.Veprimtaria e këtij luftëtari të palodhur ishte hetuar nga OZN-a, ndaj ndiqej hap pas hapi.Azemi del në mal më 8 mars 1946, pasi ishte rrezikuar nga organet 83 e sigurimit të shtetit jugosllav, kurse më 21 shkurt 1947 vritet në pabesi në fshatin Prapashticë. Sa ishte në arrati, për vendstrehimet e tij u kujdes Fetah Qyqalla me bashkëshorten, Akile Qyqallën, të cilët e morën në shtëpinë e tyre. Maliqe Jashanica, bashkëshortja e Azemit, ka treguar se “Azemi e Ramizi kurrë nuk janë ndarë, Ramizi e ruante Azemin mirë, e ushqente, e informonte për situatën, i tregonte për ndodhitë në lidhje me NDSH-në. Ramizi e dinte situatën në gishta, pasi kishte kontakte me ata të mëdhenjtë e NDSH-së”.

     Ramadan Berisha Si shumë atdhetarë tjerë, të cilët iu përkushtuan çështjes së Atdheut, padyshim ishte edhe Ramadan Berisha, i lindur më 14. 1. 1920, në fshatin Bardh i Madh. Ishte njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Rizah Strellcit për shpërndarjen e librave shqipe. Shtëpia e tij ishte si një bibliotekë e librave shqipe.

   Ky veprimtar i palodhur e atdhetar i përkushtuar dhe i pandalshëm bie në sy të OZN-së dhe u arrestua si armik i Jugosllavisë. Ramadan Berisha u dënua me 20 vjet burg nga një gjykatë ushtarake e Jugosllavisë.

      Sadik Tafarshiku, sipas Ramizit, si pjesëmarrës në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1945, e ka mbrojtur hapur qëndrimin se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, e jo me Beogradin: - Ne jemi shqiptar dhe duhet t’i përkasim Shqipërisë, e kurrsesi Beogradit, - kishte thënë ai. Sadik Tafarshiku, pas shpartallimit të NDSH-së, pothuaj ishte i vetmi veprimtar i cili i shpëtoi pushkatimit. Ramizi fliste përherë mirë për të. Anëtarët e NDSH-së, që kishin mbijetuar, ishin të detyruar të punonin punë të ndryshme, duke u penguar të ushtronin profesionin e tyre. Sadik Tafarshiku, për të jetuar, u detyrua të shiste libra e gazeta nëpër Kosovë. Çka është edhe më keq, këtë njeri disa filluan ta trajtonin si një lypsar. Qëllimi i armikut ishte që me këto metoda ta poshtëronte rezistencën shqiptare.

    Selim Berbatovci, Ramiz Qyqalla e kishte dajë Selim Berbatocin e Dobrajës së Madhe, një njeri që shquhej për trimëri. Familjen e Selimit UDB-a e kishte masakruar. Ishte dhe Ramiz Bërbatovci që kishte kapur armët për krijimin e Shqipërisë etnike.Ai kishte luftuar edhe në kuadër të brigadave të Shqipërisë për ta ndjekur armikun e përbashkët nazist nga Kosova. Po ashtu shquhej për atdhedashuri edhe Hajdin Bërbatovci.

    Mehmet Konjuhi ishte luftëtar i patrembur, krah i djathtë i Azem Bejtës. Azem Bejta, kur e kishte Mehmet Konjuhin dhe çetën e tij në krah, e dinte se armiku nuk ka çka t’i bëjë. Në familjen Konjuhi kishte shumë trima atdhetarë, të cilët nuk i trembeshin armikut, si Rexhë Konjuhi - burrë i mençur e luftëtar, Shaban Konjuhi -luftëtar në brigadat e Nacionalçlirimtares, Isak Konjuhi, i biri i Rexhës, i inkuadruar në veprimtarinë ilegale, bashkëveprimtar i Ismail Dumoshit, i Sylejman Qyqallës e i shumë veprimtarëve atdhetarë në Kosovë. Ramiz Qyqalla ishte lidhur ngushtë me familjen Konjuhi, sepse ajo ishte një familje atdhetare, besnike e bujare. Shumë

atdhetarë kanë qëndruar pa frikë në shtëpinë e tyre, sepse aty

kishin një strehë të sigurtë.

    Ismail Dumoshi në vitet e gjashtëdhjeta i ftonte në rrugë shqiptarët për të shkuar në shkollë, duke u thënë: - O vëllezër, ejani në shkollë, ju lutem! Kishte për qëllim ta mbushte shkollën me nxënës shqiptarë, në kohën kur dominonin nxënësit serbë.

Ismaili ishte arsimtar në shkollën e mesme të Kastriotit (ish-Obiliqit), një atdhetar i përkushtuar dhe veprimtar i shquar.

   Ajet Mjeku (i quajtur edhe Ajet Haxhiu) ishte anëtar i NDSH-së. Ajeti ishte i lidhur ngushtë me Behram Krasniqin, pasi Behrami punonte në mullirin e tij. Kulla e tyre ishte vënë në një kontroll të rreptë nga organet e sigurimit shtetëror.

Familja ishte një bazë e fortë për ushqim dhe furnizim të grupeve të rezistencës shqiptare në zonën e Artakollit. Të njëjtin rol kjo familje e kishte edhe gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në vitet 1998 - 1999. Si familje e madhe tradicionale, atëherë kishte 48 anëtarë.

 

( Vijon )

 

….

 

 

PJESA E TRETË

 

 

“FAQE TË PANJOHURA TË HISTORISË SË NDSH’së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

 

Shkruan: Mustafë Krasniqi

KONGRESI I LIPOVICËS

 

     Si të ngutshëm dhe të domosdoshëm, atdhetarët e devotshëm që ishin rreshtuar në organizatën NDSH e panë të nevojshme që sa më parë të mbahej kongresi, sepse rrethanat ishin të tilla. Kongresi filloi punën gjatë natës së 24-25 korrikut të vitit 1946, te vendi i quajtur “Vorri i Hoxhës”, me një përkujdesje të madhe që të mos hetohen nga forcat e OZN-së. Kongresi ishte me një përgjegjësi të madhe dhe me një përgjegjësi të tillë ishin angazhuar t’i përcillnin të gjitha pikat që lidhnin me vendin e mbajtjes së kongresit, më qëllim që kongresi t’i vazhdoi punimet e veta në kushte të sigurisë së plotë. Kongresi, sipas Profesor Ahmet Qeriqit, - fillon punimet thuajse me pjesëmarrjen e të gjithë delegatëve, që ishin rreth 150 - 180 veta. Për përgatitjen e Kongresit të NDSH-së ishin të angazhuar Gjon Sereçi e Ajet Gërguri. Siguria iu besua Istref Sheqës nga Çikatova, i cili, me forcat e armatosura, qëndronte në hyrje të Lipovicës, ku kishte edhe grupe tjera të armatosura, të ardhura nga vende të ndryshme të Kosovës, si nga Drenica, Llapi, Shala etj. Ramiz Qyqalla ishte caktuar për përgatitjen teknike dhe për koordinimin e punës politike - ushtarake, pastaj për përgatitjen e udhëzimeve për komitetet qarkore etj. Ramizi ishte zgjedhur për ta udhëhequr Komitetin Lokal. Në këtë detyrë Ramizin e zgjodhën Gjon Sereçi, Ukë Sadiku e Ajet Gërguri, pasi ia njihnin aftësitë dhe përvojën e mëhershme, si pjesëtar i Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga viti 1941 dhe luftën e tij kundër pushtimit fashist italian dhe nazist gjerman. Por kryesorja ishte se Ramizi kishte një karakter të kompletuar të një atdhetari të zjarrtë.

     Kongresi, sipas disa të dhënave, fillon punimet me një vonesë, për arsye të mos ardhjes së Ymer Berishës dhe të disa të tjerëve. Kjo vonesë udhëheqësit e kongresit i vuri në dyshim. Shqetësimin për Ymer Berishën e shprehën delegatët e fundit që erdhën në Kongres, si Jetullah Zabeli, Hilmi Zariqi dhe Osman Bunjaku, të cilët me vete sollën spiunin nga Carrabregu, i cili kishte lidhje me shefin OZN-së, Spasoje Gjakoviqin. Sipas argumenteve del se ky spiunë me shokët e vet spiujë i kishte vrarë Ymer Berishën, Ndue Përlleshin dhe disa atdhetarë tjerë. Këta atdhetarë janë vrarë në tradhti më 11 korrik 1946. Spiuni, për këtë akt tradhtie, u dënua me vdekje nga Gjon Sereçi, në pajtim me ligjet e luftës. Pas vendimit spiuni ishte ekzekutuar (sipas, Dr. Islam Dobra: Lufta e Drenicës).

     Pasi veprimtarët e NDSH-së u hetuan nga OZN-a dhe në ndërkohë ishte ngushtuar rrethi i veprimtarisë dhe ishte bërë tepër e rrezikshme veprimtaria e organizatës, Kongresi i Lipovicës vendosi që të largohen nga vendi ata që ishin vënë në thumb të armikut, si njerëz të lëvizjes së rezistencës.

     Për ta sqaruar dhe studiuar këtë vendim u organizua edhe një mbledhje tjetër në Graboc të Epërm, në të cilën morën pjesë një numër i madh i anëtarëve të Organizatës. Tubimin e udhëhoqi Ajet Gërguri, i cili sqaroi në detaje vendimin. Procesin e mbajti Ibrahim Lutfiu. Për rrezikimin e lëvizjes dhe për gjendjen momentale politike e të sigurisë u diskutua shumë. Pas shumë diskutimeve, edhe këtu u mor qëndrimi i vështirë, por i domosdoshëm, për largimin e njerëzve të rezistencës nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të Evropës. Fillimisht ishte zgjedhur drejtimi për Greqi, kurse nga aty pastaj të shpërndaheshin nëpër shtete tjera.

     Mbledhja e mbajtur në Graboc të Epërm kishte dhënë arsyet e largimit. Brenda, në viset shqiptare që ndodheshin nën ish-Jugosllavinë, ishte pothuaj i pamundur qëndrimi i mëtutjeshëm, sepse ndjekjet e përcjelljet ishin të mëdha dhe të gjithanshme. Në këtë mbledhje u ndanë disa detyra. Ajet Gërguri e ngarkoi Aziz Zhilivodën që të takohej me Osman Bunjakun dhe me grupin e tij. Ky takim kishte dështuar, kurse as pas dy ditëve Ajet Gerguri nuk mori ndonjë lajm nga Aziz Zhilivoda për shkaqet e dështimit të takimit të planifikuar mes Azizit e Osmanit. Por, ishte i kuptueshëm mosrealizimi i takimit, sepse situata ishte tepër e tendosur dhe lëvizjet e UDB-së ishin shumë të dendura. Me qenë se qëndrimi i mëtutjeshëm në vend e shtonte rrezikun, kurse pritja dhe vonesa mund të kishin pasoja të rënda, Ajet Gërguri, bashkë me grupin e tij prej më shumë se 100 vetëve, u nis në drejtim të Prizrenit. Por, për fat të keq, për shkak të rrethanave të vështira, ky grup nuk arriti të largohet jashtë vendi.

     Pasi ky plan i udhëtimit dështoi dhe pasi humbën shpresat e këtij rrugëtimi, Kryesia e Lëvizjes ndërroi taktikën dhe u shtrëngua të ndryshonte planet. Vendimi tjetër i Kryesisë,që u mor aty për aty, ishte për t’u kthyer përsëri në zonat ku kishin vepruar më parë, sepse nuk kishte mbetur rrugë tjetër veçse ajo e luftës për jetë a vdekje.Mirëpo, gjatë kthimit, grupi ra në pritë dhe u detyrua të luftojë me forcat armike. Gjatë luftimeve në malin e Sharrit, diku nga krahina e Opojes, në përleshje me forcat e regjimit u vra Emin Saraçi dhe disa anëtarë të NDSHsë.

     Rrugën e ikjes për në Greqi nuk e kishte marrë grupi i Bunjakëve, pastaj Ramiz Qyqalla, Aziz Zhilivoda dhe disa  grupe tjera, të cilat u përcaktuan që të qëndrojnë në Çiçavicë, me qëllim që ta vazhdojnë  rezistencën e tyre kundër regjimit jugosllav. Kjo luftë e rreptë në mes të forcave të NDSH-së dhe forcave të regjimit ndodhi nga fundi i vitit 1947, dy javë pasi doli në mal Ramiz Qyqalla me shokë. Bashkë me Ramizin në mal ishin edhe Ibrahim Lutfiu, Gjon Sereçi, Musli Dumoshi, Tahir Obranxha, Ajet Gërguri, Azem Muja, Rexhep Sfarça, Aziz Zhilivoda, Azem Jashanica, Fetah Qyqalla etj. Gjatë qëndrimit në arrati nuk reshtën ndjekjet për t’i kapur forcat e rezistencës shqiptare. Shumë nga udhëheqësit dhe anëtarët e NDSH-së u zunë nga UDB-a dhe pastaj u dënuan me dënime shumë të rënda, deri në pushkatim. Kurse një pjesë e tyre arritën të ikin në Greqi, në Amerikë, në Shqipëri etj. Në Shqipëri arriti të dalë edhe Aziz Zhilivoda, i cili jetoi atje deri në vdekje.

 

Ramiz Qyqalla - luftëtari që mori përgjegjësinë mbi vete

Po nuk luftove për çështjen tënde, ti lufton për çështjen e armikut (B.Breht)

 

     Ramiz Qyqalla e dinte se pa veshmbathje dhe pa ushqim nuk mundet as të luftohet e as të jetohet. Për këtë arsye organizoi aksionin e grumbullimit të ushqimit dhe të veshmbathjes, bashkë me Fetah Qyqallën, me Rasim Qyqallën e me Shaban Qyqallën, si dhe me bashkëshortet e tyre, në mënyrë që t’i ndihmonin njësitit që vepronte në fshat.  Aksionin e ndihmuan edhe shumë shokë dhe miq, ndër ta edhe Ismail Zhegrova e Ukshin Zhegrova të Dobrajës së Madhe. Azem Jashanicën e ndihmonin Akile Qyqalla e Fetah Qyqalla, të cilët ishin bashkëshortë, si dhe Sabrie Jashanica, gruaja e Hasan Jashanicës. Këta, duke u koordinuar me Hajrie Qyqallën, bashkëshorten e Ramizit, i furnizonin në mënyrë konspirative luftëtarët me gjëra të nevojshme.  Shtabi i Bardhit të Madh në fillim ishte i përbërë nga Ramiz Qyqalla, Ramadan Berisha,Azem Jashanica, kurse më vonë në të inkuadrohen edhe Ramadan (Ramë) Gashi, Fetah Qyqalla, Hasan Jashanica dhe të tjerë. Këtë shtab e udhëhiqte Ramiz Qyqalla, i cili ishte i përgatitur, i guximshëm dhe i pasionuar për çështjen kombëtare. Gjithashtu, Ramiz Qyqalla, në kuadër të Komitetit Qendror të NDSH-së, zgjidhet kryetar i Gjykatës së Nderit, që ishte sektor qendror juridik.

     Në vitin 1947, pas zbulimit të Komitetit të Shkupit, shumë anëtarë të saj kapen dhe dënohen me burg, kurse disa prej tyre, duke përfshirë edhe kryetarin Azem Moranën, pushkatohen. Anëtari i Kryesisë së këtij Komiteti, Hasan Bilalli, shpëton në  saje të gjeturisë së tij, i veshur dhe i maskuar në uniformë të hoxhës. Hasani kishte shkuar te Ramiz Qyqalla për të gjetur një rrugëdalje nga gjendja e krijuar. Ramizi e drejton Hasanin te Komiteti Qarkor. Në këtë kohë pothuaj të gjitha njësitet e NDSH-së pothuaj ishin shpartalluar nga forcat jugosllave. Forcat shqiptare sapo kishin filluar të bëheshin forcë e armatosur, me të gjitha strukturat e duhura. Por, pengesë e një qëndrese më të fortë ishte pamundësia e furnizimit me armë. Kurse, në kuadër të ushtrisë jugosllave kishte edhe shqiptarë që kishin dalë kundër interesit kombëtar. Kështu, NDSH-ja shpartallohet dhe fillon ndjekja masive e anëtarëve të saj. Një pjesë e anëtarëve burgoset, kurse një pjesë tjetër kaloi në Shqipëri, në Itali, në Amerikë e gjetiu.   Azem Jashanica vritet tradhtisht në Llap, ndërsa Ramiz Qyqalla burgoset nga forcat shoviniste jugosllave. Para se të burgosej, Ramiz Qyqallës i ishte marrë peng  familja e tij dhe e vëllait të tij, Shabanit. Në këtë mënyrë i bëhej trysni dhe shantazh, me qëllim që ai të dorëzohej e të heqte dorë nga veprimtaria atdhetare, kurse populli të mos i përqafonte idetë e tij, të futej përçarje mes fshatarëve, të largoheshin dhe ta përjashtonin apo ta izolonin familjen e tij, siç edhe kishte ndodhur.

     Këto masa Ramizin nuk e kishin thyer, sepse ai kishte zgjedhur vetëm një rrugë,   të të çlirimit kombëtar. Ai thoshte: “Unë fytyrën time e të familjes kurrë nuk do ta përlyej me baltë, po do të luftoj me nder deri në frymën e fundit. Shkaut kurrë nuk do t’i përkulem për së gjalli. Ia kam dhënë besën kombit, për të do të luftoj me pushkë e me fjalë. Nuk e dua jetën me shibla! Nuk do t’i turpëroj shokët e mi dhe nuk do t’i turpëroj ato familje që na kanë dhënë bukë me rrezik. Ia kam dhënë besën Nanës Shqipni!” Trima që luftonin për liri nuk ishin vetëm burrat. Krahas burrave kanë qenë kurdoherë edhe gratë, nënat e motrat tona. Ndër to ishte edhe bashkëshortja e Ramizit, Hajrije Qyqalla, e cila ishte marrë peng e torturohej bashkë me fëmijët e saj. Nga fëmijët e marrë peng ishin të bijtë Mehdiu e Shaipi dhe vajza Haxherja, të cilët i kishin parë me sy terrorizimet e shqiptarëve nga UDB-a jugosllave, e kishin parë të ëmën të torturuar nga makineria çnjerëzore. Por ajo nuk e kishte thënë asnjë fjalë para armikut dhe nuk ishte ligështuar aspak. Mbahej e fortë kur u përgjigjej pyetjeve të UDB-ashëve për strehimin dhe veprimtarinë e Ramizit. Pyetjes: “Ku e ke burrin?”, i përgjigjej shkurt, duke ua mbyllë gojën inspektorëve: “Ju e dini mirë se burrat nuk u tregojnë grave se çka bëjnë e ku shkojnë. Nëse jeni aq të interesuar ta gjeni, gjene vetë.” Kjo trime e zgjuar, me kujdesin e saj, e kishte ruajtur fshehtësinë e strehimit të bashkëshortit të saj. Pas pesë muaj burgimi, që e kishte mbajtur bashkë me fëmijët e vet, me kunatën, Hyrën dhe me fëmijët e saj, ajo lirohet. Por, ajo dhe familja e saj përjetonin varfërinë e madhe. Hajria kishte mbetur gruaja dhe burri i familjes, pasi Ramizi ishte në luftë, maleve të Drenicës, të Gallapit, të Shalës dhe të Sharrit. Në atë kohë ishte e vështirë ta mbaje në familje një luftëtar, siç ishte Ramiz Qyqalla, Aziz Zhilivoda apo Azem Jashanica me shokë, pa u diktuar nga spiunët e UDB-së. Por, mbajtja e kryengritësve bëhej në saje të vigjilencës, të sigurimit dhe të fshehjes së mirë të tyre. Siguria dhe fshehja ishte meritë edhe e Shaban Qyqallës, e Fetah Qyqallës dhe e Rasim Qyqallës, si dhe e motrës, Zylfie Qyqallës - Zhegrovës, e cila ishte e martuar në Dobrajë.

     Në shtëpinë e Ismail Zhegrovës dhe të Ukshin Zhegrovës në Dobranjë të Madhe ishin strehuar luftëtarët e NDSH-së.Kjo shtëpi ishte bërë çerdhe e luftëtarëve të lirisë, ku gjenin strehë e ushqim dhjetra kryengritës. “Jam tmerruar kur e kam parë Ramizin në atë gjendje, qysh ishte bërë... nuk di çfarë shpirti të fortë kishte vëllai im... çuditem qysh kishte mbetur gjallë. Më duket se Ramizi i ka shtatë shpirta... nuk besoj se ka vuajtur dikush më shumë se Ramizi”, - rrëfente motra e Ramizit, Zylfia. Pasi NDSH-ja ishte shpartalluar, kurse veprimtarët e saj ndiqeshin hap pas hapi nga policia dhe ushtria Jugosllave, në kohën kur mbante ftohtë në një dimër të egër, Ramizi, të cilit i ishin mërdhirë dhe lëngonte nga këmbët, bashkë me bashkëpunëtorët më të afërm, u strehua në shtëpinë emotrës së tij, që ishte një vend shumë i sigurt.

     Sa ishte gjallë, Ramizi rrëfente për vuajtjet e popullit, veçanërisht të shokëve të tij, nganjëherë edhe për vuajtjet e veta. Rrëfimet e tij ishin rrëqethëse:

     - Ia mësymë derës së motrës Zylfie. Ishte natë e pahënë. E disha se motra do të mërzitej shumë. Ishim aq të lodhur, sa nuk na binte ndërmend për këmbët e përgjakura. Na kishte marrë edhe uria. Uria na kishte lodhur shumë. Kishim marrë rrugën për në kullën e Ismail Zhegrovës e të Ukë Zhegrovës. Ecnim me drojë, se mos na hetonte kush. Ishte e vështirë në atë kohë edhe për familjet që na strehonin. Sapo hymë në fshat, te dera e shtëpisë sëmotrës, trokitëm në derë.DoliUka për të shikuar se kush ishte. Trokitja e vonshme ishte lajm jo i mirë, ndonjëherë edhe i frikshëm. Uka e hapi derën dhe na pa si disa hije. Vërtet ishimbërë si hije të zymta e të lodhura. Nga ato hije më dalloi mua, mikun e shtëpisë dhe pastaj shokët.

     - Mirë se të ka pru’zoti, Ramiz Qyqalla!

     Por zëri ynë ishte i mekur, se s’kishim fuqi as të flasim: - Mirë se të gjejmë, o mik! Ne kemi ardhurme halle tëmëdha në këtë kohë të vështirë.

     I zoti i shtëpisë ua ktheu: - O burra, hyni brenda njëherë e atëherë ia shtrojmë muhabetit!  Ai, sapo na pa se në çfarë gjendje ishim, me këmbë të përgjakura, pa e thënë asnjë fjalë tjetër, na futi brenda. Uka dhe vëllai i tij, të shqetësuar për shëndetin tonë, me një keqardhje, na tha: - Ah, bre burra, paskeni mbaruar!

Me qenë se nuk kishim mjete dhe asgjë për shërim, Uka dhe Ismaili ndërmerrnin disa masa të mjekësisë popullore, aq sa dinin, për shërimin tonë.  I zoti i shtëpisë, Uka, u ndie ngushtë. - He, çka qenka jeta! - pëshpëriti. - Trupi juaj e paska parë gazepin, uria ju paska lodhë shumë. Por fjalët sikur i mbetën në fyt. Atëherë ua ktheu me dhembshuri: -Mbahuni burra! Keni durim! Bukë kemi sa të doni...! Disa nga shokët u ishin hedhur vargonjëve të qepëve, që ishin të varura në hajatin e shtëpisë. Kështu rrëfente Ramizi dhe pastaj shtonte: - Motra Zylë, pasi e pa vëllain me shokë në atë gjendje, shpejt e solli një bukë, që na u duk se ishte sa guri i mullirit. Erdhi buka e misrit me qumësht, me kos e me të gjitha të mirat. Motrës Zylë lotët nuk i ndaleshin, duke e parë të vëllanë me këmbë të përgjakura e të dërmuar nga lodhja. Mezi haja përshesh me  bukë kallamoqi dhe me qumësht”.

      - Ne të kemi hyrë në kullë, ore burrë, duhet ta dish se prania jonë është shumë e rrezikshme dhe e kushtueshme për ju. Atëherë, nëse të kushton zemra të rrezikosh, vendos, bre burrë! Uka reagon pas këtyre fjalëve: - Besa, bre burra dhe ti, lum miku, më rënduat, këto fjalë nuk është dashur të m’i thoni. Diku tjetër të kishit shkuar, mua do të më kishte mbetur hatri. Atëherë, burra, ndihuni si në shtëpitë tuaja, se për të gjallë tim shtëpi tjetër pos shtëpisë sime nuk keni. Kjo kullë dhe anëtarët e shtëpisë sime kanë për të qenë në shërbimin tënd e të shokëve tuaj, o Ramiz Qyqalla!

     Pastaj, foli Ismaili: - Burra!Këtij konaku kulmi teposht e themeli përpjetë i shkoftë, kush i gjallë mos daltë, ose të gjithë bashkë, me ju, ose asnjëri! Burra, mos keni frikë! Atëherë trimat vendosën rojet dhe qëndruan disa ditë në shtëpinë e motrës Zylë dhe të Ismail Zhegrovës e Ukshin Zhegrovës. Kjo familje për njerëzit e rezistencës e kishte gjithmonë derën të hapur dhe sofrën të shtruar “me bukë, me kripë e me zemër”. Pasi e morën veten, u forcuan pak dhe tani ishin në gjendje të merrnin rrugë, u hodhën në male, sepse në male e ndienin veten më të sigurtë. Ky njësit, i mbetur maleve, ka pasur disa përleshje me forcat policore. Njëra nga këto përleshje ishte kur iu ngushtua rrethi, kur hasën në prita, kur luftuan me ushtrinë jugosllave, kur nuk kishin asnjë të vrarë, kur nga ana e armikut kishte të vrarë e të plagosur. Kjo përleshje u zhvillua në brezin malor të Sharrit mbi Ferizaj gjatë nëntorit të vitit 1947. Trimat shpesh rrëfenin me humor për jetën në mal dhe për luftën e tyre. Kullat shqiptare ishin gjithmonë mikpritëse, çerdhe të luftëtarëve të lirisë. Njëra nga ato, në të cilën ishte strehuar Ramizi me shokë, ishte edhe kulla e Rexhep Buçincës nga Zabeli i Poshtëm.

 

Në Malin Sharr, për jetë a vdekje

 

     Pas luftës në Malin e Sharrit luftëtarëve nuk u kishin mbetur as municion, as ushqim e as veshmbathje. Më tej Ramizi ka shpjeguar: “Në vend të bukës kemi ngrënë edhe barë. Më kujtohet, gjatë kërkimit të ushqimit në mal, pashë një shkurre të thatë me kokrra të kuqe. Iu hodha sipër shkurres dhe fillova t’i ha frytet e saj. Pasi i hëngra frytet, pas pak minutash më kapën dhembjet, sa përpëlitesha me vdekjen. Bima kishte qenë helmuese. Tri ditë e tri net shokët ishin munduar të më ndihmonin. Pasi erdha në vete, vazhduam rrugën. Rrugës takuam një bari, i cili quhej Elmaz. I treguam se çka kishim ngrënë e ai na tregoi se frytet e shkurres ishin helmuese. Shkurrja quhej “Luga e shtrigës”. Bariu habitej se si kisha shpëtuar nga helmimi. - Ky lloj bari është helm dhe në vend të mbytë, por ti e paske shpirtin më të fortë se guri, - më thoshte bariu! Vështirësitë ishin të mëdha. Ishim në male, ishte dimër, duhej të mbijetonim. Ndiznim zjarre për t’u ngrohur, por, për të mos u dukur zjarri, bashkoheshim shpinë për shpine. Shpesh na ka ndodhur të mos kemi as municion. Në një rast ne ishim rrethuar, municion thuaj se nuk kishim, hëna rrezatonte. Armiku ishte afruar shumë afër, na i kishte zënë pritat. Ne kishim dy mundësi; të vritemi duke luftuar apo të dorëzohemi. Për t’u dorëzuar nuk mendonim, sepse e dinin se pak nga pak do t’na e rjepin lëkurën. Vendosëm të luftojmë dhe të vdesim si burrat. Në ndërkohë më erdhi një ide, në bazë të të cilës shpëtuam. Shpesh na ka ndodhur që në vend të pushkës të mbajmë në krah një hu. Na ishte qepur pas ushtria jugosllave. Ne ishim pak në numër dhe pothuaj të rrethuar. Nata ishte me hënë, ata na shihnin dhe ne i shihnim, nuk ishim larg nga njëri tjetri. Çka të bëjmë me pak armë që kishim!? Rrethi duhet çarë, por te ne kishte edhe frikë. Unë u thashë shokëve: - Duhet ta çajmë rrethimin! Po si ta çanim, kur nuk na kishin mbetur armë!?-Unë e kisha vetëm një revole italiane “Beretta”.Morëm nga një hu në krah, që të duken si pushkë të gjata. Hëna bënte pak dritë, hijet tona iu dukën të mëdha dhe ata u frikësuan. Kështu e kaluam rrethimin dhe shpëtuam. Kur luftëtarët u kthyen në Kosovë, shumë familje nuk guxonin t’i mbanin në shtëpi. Kishte edhe njerëz të cilët mund të na lajmëronin te pushteti. Mezi shpëtuam unë, me shokët: Azem Jashanicën, Musli Dumoshin, Tahir Çelën, Aziz Zhilivodën, Rexhep Buçincën, Rexhep Sfarçën, Azem Mujën. Shkuam në fshatin Dobrajë, te Ismail Zhegrova dhe Ukshin Zhegrova. Ismailin e kisha dhandër, ai ishte i martuar me motrën time, Zylfien. Aty u ngrohëm dhe u ushqyem mirë. E kemi ditur se kjo kullë kishte rritur, kishte pritur dhe kishte përcjellur trima të rrallë.

 

Vijon:

 

 

 

PJESA E DYTË

 

 

 

“FAQE TË PANJOHURA TË HISTORISË SË NDSH’së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

 

Shkruan: Mutafë Krasniqi

 

LUFTA TE URA E PESTOVËS, NJËRA NGA QËNDRESAT  E ÇIÇAVICËS

 

Jeta pa qëllim është vdekje e parakohshme (Geto)

 

      Çiçavica njihet si një zonë apo mal i njohur për shumë luftëra. Shtrihet mbi Drenicën heroike, duke përfshirë edhe zonën e quajtur Artakoll. Zona e Artakollit shtrihet në rrëzën e malit të Çiçavicës. Kjo zonë ka përjetuar shumë luftëra, në të janë zhvilluar beteja të përgjakshme mes kryengritësve dhe forcave të mëdha pushtuese, të cilat kanë synuar ta pushtojnë e ta shtrijnë pushtetin e tyre  antishqiptar. Për Çiçavicën dhe Artakollin janë thurur dhe kënduar shumë këngë trimërie. Me krenari, përmes këngëve, populli e ka treguar historinë e kësaj ane. Me pietet populli i këndon trimave e heronjve të vet, si Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Shotë dhe Azem Galicës, Mehmet Konjuhit, Ukshin Kovaçicës e shumë të tjerëve. Lufta te Ura e Pestovës ishte një luftë e madhe, e cila zhvillohej dhëmb për dhëmb. e orë të tëra nuk kishin pushuar pushkët, krismat e topave dhe gjëmtë e të vrarëve dhe të plagosurve. Në këtë betejë kanë luftuar forcat e Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Përballë kishin një ekspeditë të madhe ushtarake. Sipas tregimit të Behram Tahir Krasniqit, “topat e partizanëve - çetnikë janë dëgjuar shumë larg, por pushkët e holla të Shabanit e të Mehmetit i kishin tmerruar forcat e armikut. Ushtarët nga beteja janë ndarë si humbës. Shumë fshatarë janë detyruar me dhunë, me qerre të qeve, t’i bartnin trupat e të vrarëve armiq. Kjo betejë është nga më të përgjakshmet e zhvilluar në këtë trevë. Aty kanë luftuar bashkë trimat e Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Shaban Polluzha, pas luftës që kishte zhvilluar në Shalë, kishte marrë rrugën në drejtim të Çiçavicës për të dalë në Drenicë. Kur ishte afruar tek ura e Pestovës, e kishte parë se ura ishte e bllokuar nga forcat e ushtrisë së Serbisë. Kalimi ishte i pamundur, por edhe kthimi prapa ishte i vështirë. Duke e parë gjendjen pa shtegdalje, me një mjeshtri të rrallë ushtarake, Mehmet Gradica dhe Shaban Polluzha fillojnë luftën, e cila zgjati disa orë. E shpërthyen rrethimin, duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe mjete ushtarake ushtrisë jugosllave. Ushtria kishte topa dhe armë tjera të rënda, e cila nga larg i gjuante luftëtarët e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës. Për betejën te Ura e Pestovës rrëfen edhe Ilmi Muzaqi, i cili i kishte të freskëta kujtimet nga tregimet e babait të tij, Ali Muzaqit. - Kjo luftë, sipas babës, - shpjegon sot Ilmiu, - ka qenë e pabarabartë. Babai më rrëfente për trimërinë e Mehmet Gradicës, i cili me mjeshtri e kishte shpërthyer rrethimin, duke mos e rrezikuar asnjë ushtar të vetin. Ai i pari e vinte kokën në rrezik, kurse ushtarin e çmonte dhe e ruante më shumë se veten. Mehmet Gradica ishte një trim i madh, ai kurrë nuk iu kishte trembur plumbit, ka luftuar në këmbë dhe ka qenë shenjëtar i mirë, plumbat e tij nuk kanë shkuar asnjëherë huq. Pas një luftimi shumorësh dhe pas shpartallimit të ushtrisë Jugosllave, luftëtarët arritën të hynin në Çiçavicë. Edhe kryengritësit kishin disa të plagosur. Kështu ka treguar HilmiMuzaqi, që ishte djalë i Ali Muzaqit, pjesëmarrësit të drejtpërsdrejtë në këtë luftë, luftëtar i Shaban Polluzhës, që ishte në detyrën e rreshterit.

 

LUFTA QË U ZHVILLUAN TE FSHATRAT  KOLLË E  BRUZNIK

 

     Si shumë luftëra dhe beteja të rëndësishme që janë zhvilluar në hapësirën e Shqipërisë së Natyrshme dhe që meritojnë të shënohen në analet e historisë, është edhe lufta që u zhvillua në shpatijet e Çiçavicës, në territorin mes fshatrave Kollë dhe Bruznik në vitin 1944. Mali i Çiçavicës dhe krahina e Artakollit përmenden për luftëra dhe beteja të mëdha.  Në këto anë kishin luftuar burrat e fortë, që ishin krenaria e kombit, si Azem Bejta, Shotë Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Mehmet Konjuhi e shumë të tjerë. Çdo fshat i Artakollit ka qenë i sulmuar nga pushtuesit, por edhe kanë rezistuar nëpër shumë luftëra e beteja të mëdha, që e kanë tmerruar armikun. Një nga këto luftëra është ajo e zhvilluar në territorin mes fshatrave Kollë e Bruznik, në rrëzën e Çiçavicës. Nga shumë dëshmitarë dhe nga kënga që këndohej, nga tregimet dhe nga kujtimet e ish - pjesëmarrësve të luftës, del se nga kjo betejë fitues kanë dalë mbrojtësit e lirisë dhe të trojeve të tyre, edhe pse kanë humbur shumë luftëtarë. Në këtë betejë të përgjakshme armiku ka pësuar me qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Në këtë luftë janë dalluar si luftëtarë të regjur Ilaz Kolla e Sadri Kolla, por ka marrë pjesë pothuaj e tërë Kolla, si dhe shumë luftëtarë nga fshatrat e afërta. Nga fshati Bruznik është dalluar Ali Muzaqi - rreshter, Adem Muzaqi - komandant për Artakoll në ushtrinë kryengritëse të Shaban Polluzhës, pastaj Naman Muzaqi, Nuhi Muzaqi, Rexhep Kollari dhe shumë të tjerë. Në këtë betejë, e cila u zhvillua në dimrin e madh të vitit 1944, kanë luftuar edhe Ahmet Peci e Shaqir Peci, që kanë ardhur nga fshatrat përreth.

 

“NUK E DORËZOJ ARMËN KURRË PËR SË GJALLI!”

 

     Në dimrin e viteve 1944/1945 kishte filluar një fushatë e egër për ndjekjen e shqiptarëve, me motivacion për mbledhjen e armëve, por që kishte qëllim spastrimin etnik të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare. Shqiptarët kështu detyroheshin të shpërnguleshin përsëri për në Turqi, duke qenë të regjistruar më parë si “turq”. Ironia më e madhe ishte kur regjimi jugosllav shpërnguljet e shqiptarëve i arsyetonte sikur “turqit po shkonin vullnetarisht drejt vendit dhe fesë së tyre, në Turqi”. Fushata kishte dy anë të hidhura; në njërën anë kishte futjen e frikës e të pasigurisë, në anën tjetër kishte vrasjet, dëbimet dhe dhunën masive. Të kishe apo të mos kishe armë, ishte njësoj para UDB-ashëve, sepse armën e kërkuar duhej dorëzuar doemos. - Në mos e paç, bleje dhe dorëzoje, - u thoshin UDB-ashet shqiptarëve, duke kërkuar gjithnjë pretekst për të zbatuar dhunë. Kësaj fushate nuk i kishte shpëtuar as fshati Bardh. Ramiz Qyqalla kishte vendosur të mos dorëzonte armë, edhe pse e dinte se do ta pësonte keq. Ramizi thoshte: - A i dorëzohet arma shkaut!? Arma shkaut i ipet vetëm në lule të ballit! Unë për së gjalli armën nuk e jap! Ai kishte armë; një pushkë M-48, një revole, një arkë me fishekë dhe tri bomba dore. Meqenëse Ramizi kishte vendosur që armët të mos i dorëzonte, mbi të milicia serbe filloi të ushtronte dhunë të tërbuar, sa, në një moment, disa burra të fshatit që pritshin radhën për tortura, i ishin drejtuar Ramizit: - O Ramiz burri, lyp afat, he burrë, se marove! Kurse Ramizi ua kishte kthyer: - O s’lypi afat, jo, nuk kam armë dhe nuk e blej kurrë! Kurrë, pasha zotin, armë nuk kam me dorëzu për së gjalli! Kështu pra ishte betuar i vendosur Ramiz Qyqalla. Fjalën e dhënë e mbajti pa luhatje. Kur milicët u bindën se Ramizi kishte këmbëngulur që të mos dorëzonte armë, ata u sulën mbi të si bisha, duke e shfryrë dufin e tyre shtazarak. Qëndrimi i tij u bë i padurueshëm për milicët e UDB-ashët, ndaj e lidhën për duarsh dhe për këmbësh me litarë dhe e tërhoqën zvarrë nëpër fshat. Pas të gjitha torturave mizore, Ramizin e dërguan në lokalet e shkollës së fshatit Pomazatin. Por, as këtu nuk mbaruan torturat mbi të. Në radhë erdhën tortura tjera. Ia kishin lidhur duart dhe këmbët, ia kishin vënë një pykë (copë druri) në gojë, në mënyrë që të mos kishte mundësi të artikulonte fjalë dhe të mos i dëgjohej asnjë zë, po edhe të mos mundet ta ndalte ujin që ia futnin me kovë në bark. Kishin filluar ta rrihnin me kamxhik dhe me shufër metali. Pasi kishte mbaruar seria e kamxhikut, ata e kishin rrahur me shqelma. Pastaj i kishin dhënë të pijë ujë me zor, ia kishin mbushur barkun me ujë, i kishin hipur me këmbë në bark, duke ia zbrazur ujin për goje e për hunde. - Gjakatarëve më së shumti u vinte inat që unë nuk bërtitsha nga rrahjet që m’i bënin. Të them të drejtën, mua më dukej ligësi me bërtit si fëmijë. E di se atyre ua pata plasur barkun me qëndrimin tim. Më vinte inat me iu nënshtruar shkive...”, - rrëfente Ramizi. Pas torturave, pa mundur t’ia nxirrnin asnjë fjalë nga goja, e dërguan në Prishtinë dhe, pa e hetuar fare rastin, e dënuan me dy muaj burg. Sapo e kishte marrë dënimin, e vendosën në dhomën e burgut, ku takoi edhe shumë bashkëvendës të tjerë, si: Selim Gashin, Abaz Jasharin (Qyqallën), Ramë Perbrezën, Man Gërgurin (pas gjykimit Manin e kanë pushkatuar) etj. Në atë kohë, në mes të fshatit Bardh i Madh, te xhamia, ishte pushkatuar Azem Simnica i Pomazatinit. Dhuna ndaj popullit të pafajshëm nuk ndalej. Nga pjesëtarët e një brigade partizane serbe, që operonte në fshat, ishte vrarë Abaz Kodra, kurse më vonë, më 21 prill 1945, pas afër tri viteve në arrati, te “Lugu i Shkozinës”, ishte vrarë Ismail Kodra i Bardhit të Madh. Ishin vrarë edhe Xhemë Xhuraku i Sllatinës dhe Rrahim Gradica i Gradicës. Në ndërkohë vëllai i Ramizit, Shaban Qyqalla, ishte mobilizuar në njësitet partizane, me qëllim të shpëtimit nga ndjekjet dhe dhuna e shtetit, por, sa të ishte e mundur, të mbronte popullatën shqiptare prej çetnikëve.

 

DËSHMIA E RAMIZ QYQALLËS PËR TIVARIN

 

     Jugosllavia, sipas Ramizit, shqiptarët i përdorte si “mish për top”. Qëllimi i saj për t’i hfarosur dhe për t’i pastruar trojet tona nga shqiptarët ishte i përhershëm. Masakra e Tivarit ishte më tragjikja, që ka mbetur në historinë e popullit shqiptar, ndoshta në tërë historinë e Evropës. Ushtria e Jugosllavisë kishte përgatitur një plan për zhdukjen pa shenjë të shqiptarëve, duke i mobilizuar ata gjoja për ta ndjekur nazizmin gjerman. Mobilizimi u bë në kazermën ushtarake të Prishtinës. Nga Prishtina rekrutët i dërguan në Lipjan. - Aty jemi ndalur një natë dhe pastaj kemi vazhduar rrugën për Suharekë dhe Prizren. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë na janë bashkangjitur njerëz tjerë, që ishin marrë nga shtëpitë e tyre me dhunë. Në Prizren kemi pushuar dy net në një kazermë, pa të drejtë për të dalë jashtë saj. Ishte e çuditshme që nuk na lejohej të kemi me vete as brisqe, e jo më armë apo diçka tjetër. Ne kujtojshim se, pasi po shkojmë në luftë, do të furnizoheshim me armë. Por, u pa më vonë se për ne ishte përgatitur një plan tjetër, plani për shfarosje. Nga kazerma e Prizrenit u nisëm në rrugë, por ku shkonim, askush nga ne nuk e dinte. Ecnim si kope delesh, në kolonë. Me mua ishin edhe Muharrem Gashi, Qazim Pllana e Salih Xhigolli, të gjithë të Bardhit të Madh. Kishte edhe nga Graboci. Ne tashmë kishim frikë, sepse ishim pa armë, kurse oficerët i qëllonin për vdekje, me armë zjarri, ata që nuk mundnin të ecnin. Qazim Pllanën, në një rast, e lëshoi fuqia, nuk kishte fuqi të ecte. Ashtu ishte edhe Muharrem Gashi. Unë e pashë se gjatë rrugës po i vrisnin ata të cilët nuk kishin forcë të ecnin, po qe se hetoheshin nga oficerët. Sa munda u ndihmova vëllezërve që të mos i vrisnin oficerët. I kam bartur në shpinë me rend, kush kishte nevojë, edhe pse edhe vetë isha shumë i rraskapitur nga lodhja e uria. Isha i shqetësuar tepër shumë kur e kuptova se nuk po na shkruhej mirë, por ishte e pamundur të ndërmerrnim diçka. Armë nuk kishim. Shumë shqiptarë më qaheshin: - Ramiz, kuku për ne, e pat puna jonë! Unë përpiqesha t’u jap gajret. Sapo kemi hyrë në territorin e Malit të Zi, shkijet nisën ta realizojnë qëllimin e tyre gjakatar. Shenja  e parë ishte kur asgjë në trup nuk na lanë, bile asnjë brisk të vetëm. E kuptuam sa ishte sahati. Anash nesh kishim ushtarë serbë të armatosur dhe komandën nga oficerët, të cilët kishin urdhër nga lart: - Ai që del nga rreshti, të vritet. Çka është më keq, ata të cilët i vrisnin, i digjnin apo i varrosnin ku të mundnin. Këtë “pastrim” të rrugës e bënin maxhupët, të cilët vinin në prapavijë të kolonës. Sapo mbërritëm në Tivar, në momentin kur kemi hipur në trajekt, papritmas kanë shpërthyer rafale automatikësh dhe armë tjera më të rënda. Ne nuk kishim mundësi të mbroheshim, nuk dijshëm se kah t’ia mbajmë. Unë jam shtri kur e kam dëgjuar rafalin e parë, i cili ka zgjatur disa minuta. E kam dëgjuar një zë në serbisht: - Prekini palbu polako...! (ndërprerje zjarrin ngadalë). Çka të shohësh, masakër e vërtetë! Pas kësaj masakre u dëgjua zëri i një oficeri, gjoja për të kërkuar falje. Sipas tij, ishte bërë një gabim. Oficerët bëheshin sikur u vinte keq për ngjarjen. Ne më vonë mësuam se kjo ngjarje ishte e qëllimtë, si hakmarrje për Haki Tahën, i cili thuhej se e kishte vrarë Miladin Popoviqin. Deti ishte mbushur përplot me shqiptarë të masakruar nga forcat serbe - malazeze. Në atë kohë nuk kemi mundur ta dimë se sa ishin vrarë, por më vonë kemi mësuar se ishin mbi 4000 veta. Në rrugën drejt Tivarit kemi qenë mbi tetë mijë vetë. Ma merr mendja se kanë qenë të mobilizuar mbi tridhjetë mijë shqiptarë. Siç e kam marrë vesh pas një kohe nga Gjon Sereçi, Ymer Berisha e Sadik Tafarshiku, për këtë masakër kishte dorë Bogolub Nedelkoviq, i cili më vonë u shpërblye me grada e pozita shtetërore. Neve, që mbetëm gjallë, na urdhëruan ta vazhdonim rrugën më tutje dhe na dërguan me një anije në Trogir.

 

FORMIMI I KOMITETIT LOKAL DHE I NJËSIVE TË ARMATOSURA

 

     NDSH-ja kishte filluar ta merrte formën e një organizate të mirëfilltë, edhe pse zhvillohej me vështirësi të mëdha në kushte e rrethana të rënda. Në mbledhjet e para të saj janë ndarë dhe janë përcaktuar detyra për njerëzit e besueshëm të organizatës. Ramiz Qyqallës i ishte besuar detyra që ta formonte komitetin lokal. Në saje të punës së tij të përkushtuar dhe me përgjegjësi, formoi edhe njësitin e armatosur. Njerëzit e armatosur të njësitit të vet i inkurajonte për luftë, duke i bindur se përpos me luftë, mundësi tjetër për t’u çliruar nga pushtuesi jugosllav nuk kishte. Për fat të keq, atë kohë te një pjesë e popullsisë shqiptare, e sidomos te njerëzit e përkëdhelur nga regjimi, ishte krijuar një simpati e madhe për kryetarin e Jugosllavisë, i mbiquajtur Tito. Ka pas njerëz të tillë që Titon e kanë adhuruar aq shumë, sa për vdekjen e tij kanë derdhur lot e kanë menduar se pas tij do të vdes edhe Jugosllavia e do të marrë fund edhe bota. Kurse Ramizi, me shokët e tij, kanë folur vazhdimisht kundër këtij antishqiptari të përbetuar. - Pse u vra Emin Duraku? U vra se ishte atdhetar e zemër shqiptari! Jugosllavët kanë ditë ku me prekë. Ai nuk u vra rastësisht. Emini luftonte me vetëdije për trojet shqiptare. Vrasja e tij neve na ka kushtuar shumë shtrenjtë dhe kemi humb jashtëzakonisht shumë se ai kurrë nuk ka pranuar t’i përbuzej kombi i tij. Dhe, u vra nga dora e paguar shqiptare. Edhe pse do t’u shpëtonte plumbave, në spitalin e Prizrenit u helmua dhe ne mbetëm pa një shtyllë të fortë të kombit. Kurrë nuk kemi me i çelë sytë, po qe se nuk bëhemi grusht ne shqiptarët! Unë kam qa si fëmijë kur është vra Emin Duraku i madh! - rrëfente Ramiz Qyqalla. Shemsie Qyqalla - Krasniqi, kushërira e Ramiz Qyqallës dhe mbesë e mësuesit të kombit, Ismail Bajskollës (emigrant nga Shqipëria), duke folur për Ramizin, thotë: “Pa Shqipëri nuk ka jetë, Shqipëria duhet të bëhet. Kështu më thoshte edhe daja im, Ramizi. Eh, more bir, ata ishin të dhënë pas Shqipërisë, për ta Shqipëria ishte liria dhe shpëtimi ynë. Ne një ditë do të bashkohemi. Eh, o djali im, sa shumë djem janë burgosur dhe janë vra. Edhe ata kanë qenë djem të nënave e gjynah është me e lanë gjakun e tyre ta shkelë me këmbë shkau. Për ata që vajtojnë për Titën, u pikofshin gjak ata sy!”

 

ATA NUK I BESONIN PROPAGANDËS SË REGJIMIT TË TITOS

 

     Shqiptarët nuk i besonin Jugosllavisë së Titos, sepse e dinin se kjo sajesë nuk ishte krijuar për të mirën e tyre. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe u krijua koalicioni i përbashkët antifashist, shumë shqiptarë kujtuan se kishte ardhur koha për të luftuar së bashku me ushtritë tjera partizane kundër armikut të përbashkët, me qëllim që e ardhmja të ndërtohet ashtu siç e kërkonte secili popull, pra siç e kërkonin edhe shqiptarët. Lufta u zhvillua bashkë me ushtrinë jugosllave dhe u krijua një besim i mirë, me shpresë se pas largimit të nazizmit do të arrihet bashkimi me Shqipërinë. Por, për fat të keq, ndodhi e kundërta. Pasi u shpall fitorja e përbashkët mbi nazizmin gjerman, kreu i ish-Jugosllavisë, me politikën e egër antishqiptare, filloi t’i mohonte të drejtat e shqiptarëve dhe nuk lejoi të zhvillohej opsioni për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Politika titiste e mashtronte popullin dhe një pjesë të luftëtarëve shqiptarë, që kishin qenë në njësitet partizane apo në ushtrinë jugosllave. Kjo politikë doli kundër vendimeve të Bujanit, të cilat i cilësoi si përpjekje armiqësore e drejtuar kundër Jugosllavisë. Për t’i shfuqizuar vendimet e Konferencës së Bujanit u organizua, në rrethana të trysnisë dhe kërcënimeve me jetë të delegatëve, Konferenca në Prizren në korrik të vitit 1945. Shqiptarët, duke e parë këtë tradhti, filluan të organizohen dhe të mobilizohen për një luftë të re kundër forcave jugosllave. Për këtë qëllim u formua organizata e parë ilegale, NDSH-ja. Prijës të kësaj organizate ishin Gjon Sereçi, Ajet Gërguri,Ymer Berisha, Ukë Sadiku etj. Krahas tyre qëndronte edhe Ramiz Qyqalla, i cili doli në mbrojtje të së drejtës së popullit për vetëvendosje.Me këtë qëndrim parimor Kosova do ta ndërtonte një sistem të ri, ku shqiptarët, në bazë të vullnetit të tyre, do të përcaktoheshin për ribashkim me shtetin amë. Këtë ideal e artikulonin edhe Rifat Berisha, Rexhep Budakova - Kepa, të cilët e shtronin si detyrë të dorës së parë organizimin e një kongresi të Organizatës. Para se të mbahej Kongresi i Lipovicës, ishte mbajtur një mbledhje në kullën e atdhetarit, Rexhep Buçinca dhe një tjetër në Graboc, në shtëpinë e Bafti Zogianit. Këto mbledhje u mbajtën rreth një muaj para Kongresit të Lipovicës. Në Graboc u shtrua çështja e formimit të celulave të lëvizjes dhe të degëve qarkore të Organizatës. Në këtë mbledhje ishin pjesëmarrës: Ramiz Qyqalla,Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi, Azem Jashanica dhe Aziz Zhilivoda (Azizi po merrte pjesë për herë të parë në një mbledhje të Organizatës). Nga kjo mbledhje dolën disa detyra të studiuara mirë dhe të përshtatura me rrethanat.Ajo pati sukses dhe jehonë të madhe. Doli qëndrimi që të koordinohen veprimet me celulat tjera simotra, që ishin formuar pothuaj në tërë Kosovën, si në Shalë, në Gallap, në rrethin e Ferizajt, në Siqevë etj. Në Siqevë dhe Graboc janë mbajtur mbledhjet përgatitore për Kongresin e Pestë, që u mbajt në Lipovicë. Organizimin e mbledhjes, që ishte mbajtur në Grabocin e Epërm, te vendi i quajtur ”Zabeli i Xhemail Zeqës - Mjekit, e kishte marrë përsipër Ramiz Qyqalla. Ai, bashkë me Hasan Jashanicën, duhej ta informonte Gallapin. Paraprakisht ishte takuar me Ajet Gërgurin dhe Hilmi Zariqin dhe me ata kishin vendosur që kjo mbledhje, për shkaqe sigurie, të mbahej në një vend tjetër, në shtëpinë e Ajet Mjekiqit. Mbledhja u mbajt në pranverën e vitit 1946 në Graboc, me një siguri të madhe dhe konspiracion të thellë. Ishte vendim i Ramizit që mbledhjet që ishin me peshë të mbaheshin në familjen Ajet Mjekit, sepse ishte më e sigurt dhe më besnike. Gjon Sereçi ishte vendosur në fshatin Bardh i Madh, sepse këtu ishte më i sigurt. Pas Bardhit të Madh ishte vendosur në Graboc të Poshtëm. Ishte strategji e Lëvizjes që, për shkaqe sigurie, të mos qëndrohej shumë në një vend. Për sigurinë kujdesej Ramiz Qyqalla, i cili e vlerësonte gjendjen kur qarkullonte Gjoni. Ramizi ishte i mirëpritur dhe derën e kishte të hapur në të gjitha familjet e ndershme, pavarësisht se shumica nuk ishin pjesëtarë të Organizatës, po që e ndihmonin çështjen. Pas qëndrimit dyditor në Bardh të Madh, për shkaqe sigurie, Gjon Sereçi herët në mëngjes takohet me Ajet Mjekiqin për t’u njohur edhe më tej me strategjinë e veprimtarisë, për parapërgatitjen dhe për vendin e mbajtjes së Kongresit të Pestë, që do të mbahej pas një muaji. Ajet Mjekiqi, i cili në opinion njihej siAjet Haxhiu, mbante lidhje me njerëz të rëndësishëm të rezistencës në zonën e Artakollit. Prandaj ai duhej patjetër të kontaktonte me Gjonin për shqyrtimin e mundësive luftarake dhe për përfshirjen masive të popullit në Lëvizje. Ai kishte takime edhe me krerët e Lëvizjes, si me Ajet Gërgurin, me Ibrahim Lutfiun etj. Ramizi duhej të ishte patjetër i pranishëm në takim, sepse ai duhej ta vlerësonte gjendjen në Komitetin Lokal. Ramizi e njihte shumë mirë terrenin ku mund apo ku nuk mund të veprohej. Në këtë pikë ndihmonin edhe Fetah Qyqalla e Rasim Qyqalla. Fetahu i dinte shumë sekrete të UDB-së, ndaj ishte shumë i dobishëm për Organizatën. Përmes Ajet Mjekit, Gjoni takohet edhe me Ajet Gërgurin, i cili ishte i shoqëruar nga Ibrahim Lutfiu, ish-prefekt i Mitrovicës. Ata u takuan te vendi i quajtur “Lugu i Kishës” në Graboc të Epërm. Lugu i Kishës u caktua për mbajtjen e mbledhjes, sepse kishte pozitë të mirë strategjike. Në këtë mbledhje, përveç të tjerëve, kanë marrë pjesë edhe shumë anëtarë të Organizatës. Qëllimi i mbledhjes ishte ngritja e rezistencës aktive dhe zgjerimi i radhëve, në mënyrë që lufta të jetë popullore dhe rezistenca e organizuar mirë. Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Ajet Gërguri organizoi edhe një tubim tjetër në shtëpinë e Bafti Zogianit – Topit në Graboc të Poshtëm, ku morën pjesë shumë njerëz të rezistencës, të gatshëm për sakrificë. Në tubim merrnin pjesë edhe banorë nga Bardhi iMadh, Graboci, Zhilivoda, Siboci e fshatra tjera, si dhe anëtarët: Ramiz Qyqalla,Aziz Krasniqi - Zhilivoda, Çerkin Krasniqi, Azem Jashanica e shumë të tjerë. Celulat e Organizatës vazhduan veprimtarinë e tyre në ilegalitet. Shumë familje kanë dhënë kontribut të madh për mbajtjen dhe strehimin e ilegalëve. Vlen të përmendet kontributi i madh i familjes së Ajet Mjekit, e cila, përpos ndihmave me ushqime e veshmbathje, kishte ndihmuar edhe me armatim. Ramiz Qyqalla fliste gjithnjë me respekt të madh për këtë familje të pasur, atdhetare e bujare. Kjo familje e kishte mullirin e vetë, ku bluante për vete dhe fshatrat e rrethinës, por edhe për njerëzit e rezistencës. Në këtë mulli ka punuar Behram Krasniqi, i quajtur edhe Behram Kaçaku dhe Behram Cubi, njeri i pashëm dhe i zoti, trim dhe i mençur, i cili më vonë ka pasur shumë pasoja nga pushteti. Tahir Krasniqi e Ramadan Krasniqi (djemtë e Behramit), tregojnë për babain e tyre: “Baba ka pasur shumë shokë dhe miq, të cilët vinin dhe shkonin nga kulla jonë. Kulla jonë kurrë s’ka qëndruar pa miq. Ndër ta ka qenë edhe Ajet Mjeki, shok e mik i mirë, me të cilin thua një drekë nuk e hanin pa njëri-tjetrin. Ata i kishte lidhur diçka e madhe, por ne të rinjtë nuk e dinim. Fytyrat e tyre tregonin shumë, por ne, si të rinj që ishim, kishim respekt për prindërit dhe nuk i pyesnim për ato që më vonë mësuam se nuk duhej t’i dinim”. Ideali i njëjtë me njerëzit e çështjes kombëtare i miqësoi familjen Krasniqi me familjen Qyqalla. Ramiz Qyqallës, për guximin dhe besimin që kishin shokët e tij, nga Kryesia e NDSH-së i besohet detyra e koordinatorit kryesor për fshatrat Bardh i Madh, Bardh i Vogël, Graboc, Shipitullë, Lismir, Zhilivodë, Sllatinë, Halilaç, Kryshec, Siboc dhe Lipjan me fshatra. “Ramizin e kemi dorë të djathtë, nuk ka më besnik e më të vendosur. Ai nuk e mat pulsin për komb e atdhe. Kështu na thonin Gjon Sereçi dhe Ajet Gërguri”, - rrëfente më vonë Rexhep Buçinca.

          Gjithë armiqtë le ta dinë

          Ta shikojnë historinë

          Vetë koha ka tregue

          Kushdo që na ka pushtue

          Me lëkurë e ka pague...

                                     (Populli)

     Në gusht të vitit 1945 mbahet Kuvendi i Dobërdolit. Në këtë kuvend kishin ardhë përfaqësues të njësiteve të armatosura, ku merrte pjesë edhe Ramiz Qyqalla. Ramiz Qyqalla, nga rrethi i tij, shoqërohej ngaAzem Jashanica, Tahir Çela,Aziz Zhilivoda, Rexhep Buçinca, Rexhep Sfarça dhe shumë të tjerë, të cilët në rajonin e Gjilanit kishin zhvilluar një luftë të rreptë kundër njësive partizane. Udhëheqës politik në Kuvend u zgjodhYmer Berisha, ndërsa udhëheqës i forcave të armatosura të Kosovës -Ukë Sadiku. Me të caktuar këto detyra, Kuvendi përfundoi dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin shpërndarë. Lëvizja Nacional - Demokratike Shqiptare nuk kishte të ndalur.Ajo përgatitej dhe forcohej dita-ditës. Sa forcohej, edhe më tepër ndiqej nga organet e sigurimit jugosllav. Përleshjet me forcat ushtarake jugosllave nuk kanë pushuar kurrë. Të përmendim luftën e përgjakshme përgjatë maleve të Sharrit gjatë muajve shtator -tetor - nëntor 1947, që nga brezi malor mbi Ferizaj e deri në Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Prizren. NDSH-ja kishte qëllimin që ta largonte armikun sa më larg kufirit me Shqipërinë, sepse në këtë mënyrë do ta lehtësonte organizimin e luftës, duke llogaritur edhe mbështetjen apo ndihmën e Shqipërisë. - Në këtë luftë armikut jugosllav i janë shkaktuar dëme të mëdha në ushtarë, edhe pse ne ishim shumë pak në numër...”, - rrëfente Ramiz Qyqalla.

VIJON:

 

….© Pashtriku.org

 

 

Shpalime historike

 

 

 

FAQE TË PASHKRUARA TË HISTORISË SË NDSH’së

(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

 

Shkruan: Mutafë Krasniqi

 

Duke shfletuar historinë

 

      Duke shfletuar historinë, konstatojmë se populli shqiptar, me luftën heroike dhe me qëndresën nëpër periudha të ndryshme kohore, ishte i përkushtuar, natyrshëm dhe me çdo çmim, t`i ruante tiparet dhe vlerat kombëtare, si dhe ta ruante mos copëtimin e Shqipërisë. Megjithatë, duke kujtuar periudhën më të re historike, e cila thua se ishte e lënë anash nga studiuesit, pa hezitim iu rreka gjurmimeve, në mënyrë që, përmes atdhetarit Ramiz Qyqalla, ta vështroj rrugën e vështirë të shqiptarëve të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, më konkretisht, lindjen dhe veprimtarinë e NDSH-së në vitet 1944 - 1947. Kjo periudhë, si periudhat e mëparshme, nxori shumë luftëtarë, të cilët ishin bërë shkrues të vërtetë të historisë dhe që synonin, përmes të drejtës për vetëvendosje, ta realizonin e ta gëzonin lirinë, si të gjithë popujt tjerë. Liria e popullit shqiptar ishte nëpërkëmbur që nga Kongresi i Berlinit, i mbajtur më 10 qershor 1878 dhe e vazhduar pas Konferencës së Londrës në vitet 1913 - 1919, ku bullgarët, serbët, grekët dhe malazeztë përfituan më shumë se sa kishin pritur. Për fat të keq shqiptarët pësuan shumë, e sidomos në periudhën kur çuan krye të gjithë fqinjët tanë, me moton ”Kush do të fitojë më shumë territor”, ose ”Merr sa të mundesh”, duke synuar që viktimës - Shqipërisë së lodhur e të rraskapitur nga luftërat e varfëria, t’i hidhen pa mëshirë prangat e reja të  robërisë.

   Luftërat, në tërësi, por edhe periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë i ndjeu në palcë populli shqiptar. Si asnjë popull tjetër, shqiptarët u gjendën përballë ferrit dhe frikës, përball qiellit pa dritë, përballë diellit pa rreze, përballë shpresës e vdekjes, përballë dilemës: - të jesh a mos të jesh!? Edhe pse shqiptarët me ëndje i këndonin lirisë, ishin të vetëdijshëm se liria nuk vjen duke pritur. Përkundrazi, shqiptarëve iu “dhurua” ferri i robërisë dhe torturat, të papara nga popujt tjerë. Vitet 1944 - 1947 paraqesin njërën nga periudhat që lanë gjurmë të thella në historinë shqiptare. Jo rastësisht mora personalitetin e Ramiz Qyqallës, si një udhërrëfyes i zbardhjes së historisë së bujshme të Çiçavicës dhe Artakollit në këtë periudhë historike. Ramiz Qyqalla thoshte: “Në asnjë mënyrë nuk duhet ta shkelim krenarinë dhe dinjitetin kombëtar përballë asnjë kombi tjetër, sepse kombi ynë ka me çka të krenohet; i ka virtytet më të larta njerëzore”.

Ramiz Qyqalla

     Për tragjedinë e popullit tonë përgjegjës të shumëfishtë janë evropianët. Edhe pse sot mbahen si  ”të arsyeshëm”, ata kanë hartuar përsëri projekte politike në dëm të shqiptarëve. Ata asnjëherë nuk i kanë shqyrtuar konferencat famëkeqe, sidomos Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, e mbajtur në vitin 1913, e cila mbeti ngjarja më tragjike për popullin shqiptar. Që nga kjo konferencë, janë luajtur edhe shumë skena tjera të tmerrit për popullin tonë. E pastaj, pas këtyre skenave të kobshme, rodhën lumenj gjaku. Kurse shqiptarët detyroheshin t’i mbronin trojet e veta, duke luftuar në të gjitha viset, krahinat, fshatrat e qytetet e Shqipërisë. “Si asnjë popull tjetër, jemi të copëtuar. Nganjëherë nga nxitimi a nga besimi i tepruar, kemi humbur gjëra me vlerë. Duke dashur ta mbajmë besën, ajo na është kthyer kundër, deri në rrezikim për asimilim të plotë. Gjatë luftës na ishte premtuar shumë. Shqiptarët, me besimin e plotë, lidhën besën me udhëheqjen e luftës në mënyrë që, sapo të mbarojë lufta, të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja shqiptare. Por, kjo fjalë që nga atëherë ka mbetur peng. Dhe, jo vetëm se ka mbetur peng, por ata u hakmorën ndaj njerëzve që kërkonin të realizohet premtimi, ashtu siç ishim marrë vesh”, - kishte thënë Ramiz Qyqalla.

     “Ndjeke rrugën tënde, bota le të flasë ç’të dojë”, ka thënë Dante Aligieri. Kështu, dhe trimat shqiptarë kishin ndjekur rrugën e tyre. Shpesh ka ndodhur që dallgët e jetës, shumë nga këta njerëz, i ka shndërruar në ”heronj të heshtur”. Jeta është për ta jetuar, por, për ta jetuar jetën, duhet dhënë shumë nga vetja. Trimat e kohës iu përkushtuan ardhmërisë, por njëkohësisht ishin modestë dhe në asnjë mënyrë nuk janë përpjekur të imponohen për të bërë emër. Ishin të thjeshtë, me shpirt të çiltër. Vepruan, punuan dhe luftuan shumë, në mënyrë  më të ndershme, vetëm e vetëm që të triumfonte drejtësia, që ishte nëpërkëmbur aq shumë. Pa dyshim, në radhën e atdhetarëve të tillë hyn edhe i urti, Ramiz Qyqalla. Populli që nuk shuhet kurrë është ai popull që ka bijë dhe bija, të cilët jetën e tyre e vejnë në shërbim të tij. Popull i tillë padyshim se është edhe populli shqiptar. Shumë bijë dhe bija të popullit tonë kishin vendosur për ta çuar deri në fund çështjen e çlirimit të popullit, pa e llogaritur çmimin. Në këtë libër do të përpiqem t’i përfshij disa periudha të rëndësishme historike, që nga viti 1945, të shpjeguara përmes personazheve, të cilët paraqesin ngjarje që kanë ndodhur, duke i ilustruar ato, qoftë me të dhëna të marra drejtpërdrejt nga personazhet apo edhe përmes dëshmitarëve, nga rrëfimet e tyre me shkrim apo me gojë.

     Librin më shtyri ta shkruaj një ndjenjë e fortë, duke parë se personalitetet dhe ngjarjet me vlerë, me qëllim apo pa qëllim, po harrohen apo po lihen anash. Këtë fakt, fatkeqësisht, do ta quaja mëkat njerëzor dhe historik, madje edhe ndaj kombit tonë. Lufta për ta përjetësuar lirinë dhe bashkimin në një trung të vetëm nuk u ndal kurrë, edhe pse me shumë sakrifica, me humbje e pësime. Shqiptarët nuk u larguan kurrë nga lufta e drejtë dhe e domosdoshme. Lufta kundër pushtuesve mori hov të madh kur kryengritësit u ngritën të patrembur, si dragonj, që t’i dalin zot tokës mëmë - Shqipërisë, që nga Skënderbeu, nga rilindësit, nga Lidhja e Prizrenit, si Çerçiz Topulli, Isa Buletini, Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Hoxhë Kadri Prishtina, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bajram Curri,Avni Rustemi, Elez Isufi, Asim Vokshi, Azem e Shotë Galica, Mehmet Konjuhi, Ramë Bllaca etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm se nuk u përmbush vullneti i shqiptarëve, ashtu siç ishte vendosur në Konferencën e Bujanit (31 dhjetor 1943 - 1 e 2 janar 1944), por Kosova dhe viset tjera shqiptare u penguan t´i bashkoheshin Shqipërisë. Me këtë fakt ngjau më e keqja; trojet etnike shqiptare u ripushtuan dhe u ndanë në katër pjesë brenda ish-Federatës Jugosllave të AVNOJ-it (Kosova dhe pjesët tjera etnike shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi).

     Populli shqiptar asnjëherë nuk u pajtua me ripushtimin. Ai po përjetonte padrejtësi dhe tmerre, që i shtoheshin dita-ditës. Megjithatë, mblodhi forcë, kurse bijtë e bijat e tij filluan të organizohen dhe të hartojnë programe politike e ushtarake. Me këto organizime ringjallej aspirata për çlirimin e trojeve shqiptare dhe për bashkimin e tyre me shtetin amë - Shqipërinë. Meqenëse shqiptarët shihnin një rrezik të madh që po vinte nga Serbia apo ish-Jugosllavia, filluan një organizim të ri për një luftë të re, që ishte e pashmangshme, por shumë e kushtueshme. Shqiptarët e kishin artikuluar mirë kërkesën e tyre në Rezolutën e Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Zëri artikulues pastaj doli nga organizata NDSH-ja, e cila, me synimet e saj, kishte për qëllim bashkimin kombëtar. Kjo organizatë e kishte marrë përsipër ta organizonte luftën deri në fund, edhe pse e dinte se për një periudhë kohore nuk mund të zgjidhej problemi, sepse forcat jugosllave ishin forcuar, kurse shqiptarët ishin lodhur nga luftërat e nga varfëria.

     Pas një veprimtarie të palodhur, por shumë të rrezikshme, kjo organizatë, në pamundësi për t’i vazhduar veprimet, me të cilat ishte e ngarkuar, filloi gradualisht të shpartallohej nga forcat ushtarake - policore të ish-Jugosllavisë. Shumë nga veprimtarët, për t’i shpëtuar familjet e tyre apo edhe familjet që i kishin strehuar, u dorëzuan. Disa prej tyre u vranë tradhtisht në pritat e organizuara nga OZN-a, si Azem Jashanica, Musli Dumoshi, Qazim Bajraktari, Haradin Vidishiqi etj. Me vdekje u dënuan Ajet Gërguri, Gjon Sereçi, Ukë Sadiku, Osman Bunjaku, të cilët u ekzekutuan në Prishtinë më 31 gusht 1947. U burgosën shumë veprimtarë të NDSH-së, ndër të cilët ishte edhe Ramiz Qyqalla. Ramizi i shpëtoi ekzekutimit, por jo edhe burgut. Lirimi i tij nga burgu ishte bërë sepse ishte i sëmurë rëndë, në mënyrë që të vdiste në shtëpi. Ishte i dërmuar e i pashpresë se do ta shkelte pragun e shtëpisë. Por, edhe pse ishte i sëmurë për vdekje, megjithatë mbijetoi dhe shpëtoi. Shqiptarët i dinin projektet antishqiptare serbe, si ato të Garashaninit, Çubriloviqit, Andriqit, Moloviqit, Pashiqit, Mihajloviqit, Rankoviqit, të cilat parashihnin spastrimin etnik të trojeve tona nga shqiptarët dhe kolonizimin e tyre me kolonë serbë, siç edhe ka ndodhur.

     Për ta ndalur tragjedinë e spastrimit, u ngritën forcat përparimtare, duke e alarmuar situatën dhe duke e vetëdijesuar popullin. Gënjeshtrat e Jugosllavisë së Titos kishin arritur kulmin dhe më atyre nuk duhej t’u besohej. Në këtë drejtim punonte NDSH-ja, në krye me prof. Ymer Berishën, Tahir Dedën, Marije Shllakun, Gjon Sereçin, Adem Gllavicën, Ukë Sadikun, Ajet Gërgurin, Ramiz Qyqallën e shumë të tjerë, të cilët ishin prijësit e rezistencës dhe të luftës për bashkimin e Shqipërisë me pjesët e saj të copëtuara. Kundër robërisë, gjenocidit dhe spastrimit etnik u ngritën shumë grupe politike, të cilat ishin vazhdimësi e NDSH-së. Këto grupe dolën hapur kundër politikës së Rankoviqit, kundër Marrëveshjes Tito - Qyprili të vitit 1953 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, kundër kolektivizimit, kundër aksionit të armëve etj. Periudha e viteve 1958 - 1968 ishte më dinamike, sepse në këtë kohë, me veprimet e tyre të matura dhe të studiuara mirë, grupet politike ilegale ditën t’i artikulojnë veprimet e mëtejshme kombëtare dhe konceptet e reja politike, siç ishte “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë“ (PRBTSHSHA), “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ (LRBSH), në krye me Adem Demaçin, njeriun i cili kurrë nuk u lëkund nga bindjet e tij politike dhe kombëtare. Periudha tjetër, ajo e viteve 1969 - 1981, ishte periudha e formimit dhe e veprimit të shumë organizatave ilegale çlirimtare e kombëtare, si: Grupi Revolucionar (GR, GMLK, OMLK), Lëvizja Nacional-Çlirimtare, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, Fronti i Kuq Popullor (FKP), Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ). Por, periudha më e rëndësishme, e cila ia dridhi themelet Jugosllavisë së Titos, ishte viti i demonstratave të pranverës së vitit 1981, kur edhe filloi shpërbërja e perandorisë së AVNOJI-it.

     Bartëse kryesore e veprimtarisë politike ilegale ishte Lëvizja për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi (LRSHJ), e themeluar më 17 shkurt 1982, me shkrirjen e tri organizatave ilegale: LNÇKVSHJ - OMLK - PKMLSHJ. Kjo organizatë politike atdhetare në vitin 1986 e mori emrin Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), kurse më vonë u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Në të ishin shkrirë pothuaj të gjitha grupet e atëhershme ilegale politike në trojet shqiptare dhe në mërgim. Ajo, me veprimtarinë e saj atdhetare, e mobilizonte masën, edhe pse ishte e sulmuar dhe e ndjekur vazhdimisht nga makineria e pushtetit serb. Organizimi i saj shtrihej, pos në Kosovë, edhe në të gjitha trevat ku jetonin  shqiptarët nën ish-Jugosllavi, si në Preshevë, Bujanoc, Tetovë, Shkup, Gostivar, Kumanovë, Plavë, Guci, Ulqin... LPK-ja ishte organizata më e atakuar nga forcat e makinerisë serbe, por, pas vitit 1990, edhe nga partitë “legale” që dolën në skenë. Ajo më vonë e themeloi UÇK-në. Politika e pacifizmit ishte e karakterit të ulët, sa popullit i kushtoi me humbje gati të tërësishme të motivit për çlirim të atdheut. Sidoqoftë, në saje të LPK-së dhe të gatishmërisë së popullit për sakrificë, lindi forca ushtarake që nuk pyeti askënd por, heroikisht u doli para forcave të armikut, që kishin synim zhdukjen e tërë popullit tonë nga trojet e veta. - Ne jemi zot të kësaj toke, nga kjo tokë duhen të largohen pushtuesit e jo populli, që rrënjët i ka në këtë truall. Ky ishte zëri i arsyes, ky ishte zëri i shpresës dhe i lirisë, ky ishte zëri i të lavdishmes UÇK, në krye me Komandantin Legjendar, Heroin e Kombit, Adem Jasharin.

     LPK-ja, ishte organizatë që mbështeste ushtarakisht dhe financiarisht UÇK-në, që merrte përsipër daljen në skenë të UÇK-së, si të një ushtrie të rregullt. LPK-ja i udhëzonte anëtarët e saj të organizohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Lindja e UÇK-së dhe rekrutimi i madh i ushtarëve në të paraqiste frikë për të tjerët, sa pushtuesi dhe pacifistët mundoheshin ta minimizonin këtë forcë e t’i quanin ushtarët e saj si ”njerëz të frustruar”, si “dorë e zgjatur e Serbisë” etj. Sado që pacifistët thërrisnin Interpolin për t’i zbuluar ushtarët e UÇK-së, sado që propagandohej zi e më zi për këtë ushtri, ushtarët ishin të vendosur deri në vdekje për çlirimin e Kosovës.  Prandaj, me të drejtë konstatojmë se UÇK-ja i kishte fillet e para apo rrënjët e veta në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).Kurse UÇK-ja e solli lirinë e Kosovës me gjakun e mijëra luftëtarëve - dëshmorë e martirë, që u rreshtuan në ushtrinë e të madhit, Adem Jasharit.

 

Një historik i shkurtër për fshatin Bardhi i Madh

 

    Bardhi i Madh (Bellaçevc i Madh) shtrihet në rrëzë të Malit të Çiçavicës, bri lumit Drenica. Emërtimi i tij, sipas arkeologes Edi Shukriu, lidhet me kalanë “Bardhoshi”, e cila gjendet përballë fshatit. Kalaja ka një histori të vjetër dhe kjo histori i takon kohës ilire - dardane. Fshati Bardh i Madh është formuar në shek. XIX nga muhaxherët, të ikurit nga masakrat e ushtrisë serbe në Toplicë, Kushumli, Nish etj. Shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve nga trojet e veta u bë në vitet 1875 - 1878. Një pjesë e madhe e të ikurve u strehuan në Fushën e Kosovës. Në Bardh të Madh u vendosën shumë familje që vinin nga 26 fshatra të Toplicës, të Kushumlisë dhe të Nishit. Erdhën dhe u vendosën në këtë fshat të ri, me lot e dhembje për vendin që kishin lënë. Por, nga ana tjetër, kishte shenja se edhe këtu një ditë mund të fillonte dhuna ndaj tyre. Pozita me të cilën u përballën ata ishte tepër e vështirë edhe në vendbanimin e ri. Nga vendi i vjetër ata ruajtën me fanatizëm, si trashëgimi, origjinën dhe historinë. Emrat e vendbanimeve të tyre të vjetra i shndërruan në mbiemra. Poashtu, ruajtën traditat e tyre, këngët e folklorin burimor. Bardhin eMadh e përbëjnë këto familje, të cilat i kanë marrë mbiemrat e tyre apo emrat e familjeve nga ish-fshatrat e tyre, si: Qyqallët, Gërgurët, Tërnavët, Berbatovcët, Bajçincët, Simnicët, Rashicët, Tërmkollët, Xhigollët, Toçanët, Zharkët, Gashët, Maxherët, Kostanicët, Prebrezët, Pllanët, Reçicët, Hasollët etj. Torturat, ndjekjet, vrasjet, burgosjet, trysnia për shpërngulje ishin shtrirë në të gjitha pjesët e Kosovës, me qëllim që me represalie t’i shpërngulnin shqiptarët dhe në vend të tyre të sillnin ardhacakë sllavë nga vise të ndryshme të Serbisë së atëhershme. Kështu, ka ndodhur që pjesërisht të zbrazej Kosova pas vitit 1913 e deri në vitin 1941, si dhe në kohën e Rankoviqit, pas Luftës së Dytë Botërore, duke i dërguar qindra mijëra shqiptarë në Turqi e Shqipëri. Skemat e spastrimit etnik ishin hartuar nga regjimet shoviniste e hegjemoniste serbe, nga Kisha Ortodokse Serbe, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, me akademikët Garashanin, Çubrilloviq, Andriq etj. Artakolli, që njihet si shtyllë e qëndresës dhe e burrërisë, shumë herë kishte pësuar masakra dhe ekzekutime. Aksionet për ekzekutime dhe masakrime të popullsisë nga regjimet jugosllave ishin bërë në çdo kohë. Ekzekutoheshin qindra shqiptarë vetëm pse ishin shqiptarë. Përmes këtyre ekzekutimeve dhe torturave të shfrenuara pushtuesi kishte për qëllim që ta gjunjëzonte dhe ta ndiqte popullin shqiptar. Siç dihet, kurdo këndohej dhe flitej me krenari për Çiçavicën dhe pjesën e saj, Artakollin. Njerëzit e kësaj ane, me mburrje, thonë, siç më kishte thënë shpeshherë edhe gjyshi im: - Biro, Çiçavica nuk ka duruar kurrë ta shkelë i huaji. Në këto anë gjithmonë shkau është kthyer me qerret të mbushura me arkivole. Po ashtu, edhe lufta e Azem Bejtës, e Shotë Galicës, e Shaban Polluzhës, e Mehmet Gradicës dikur i kishte trimëruar këto anë. Më vonë edhe shumë atdhetarë tjerë iu kishin veshur këtij mali historik, që për armikun ishte bërë një mal trishtimi. Edhe në luftën e fundit çlirimtare armiku në këtë mal pësoi shumë humbje.

 

Kush u ekzekutua mbi baza etnike?

 

     Ekzekutimet në këto treva u bënë kryesisht mes viteve 1917-1950. Për lexuesin dhe për familjet e të ekzekutuarve po japim një listë emrash të shqiptarëve të vrarë nga motivet politike në Bardh të Madh dhe në rrethinën e tij: Hysen Maxhuni, Siboc, 1941; Hazir Maxhuni, Siboc, 1941; Murtez Klinaku, Bivolak, 1945; Abdullah Klinaku, Bivolak, 1941; Fazli Tahiri, Stroc, 1921; Mehë Bregovina, Siboc, 1920; Hasan Krasniqi, Siboc, 1920; Ramë Breznica, Breznicë, 1920; Halil Raçi, Siboc, 1920; Adem Tahiri, Kollë, 1913; Behram Tahiri, Kollë, 1913; Sherif Rrahmani, Kollë, 1919; Hysen Hasani, Kollë, 1920; Sinan Hasani, Kollë, 1920; Ismail Behrami, Kollë, 1920; Fazli Behrami, Kollë, 1920; Hazir Haziri, Kollë, 1920; Osman Osmani, Kollë, 1920; SalihMiftari, Kollë, 1920; Xhemajl Osmani, Kollë, 1920; Nezir Hajdini, Kollë, 1920; Zeqir Osmani, Kollë, 1920; Mahmut Hajredini, Kollë, 1920; Zenë Osmani, Kollë, 1920; Hajriz Hajredini, Kollë, 1920; Ramadan Beqiri, Kollë, 1920; Avdi Ramadani, Kollë, 1920;Beqir Beqiri, Kollë, 1920; Islam Islami, Kollë, 1920; Sahit Beqiri, Kollë, 1920; Murat Islami, Kollë, 1920; Hamit Demiri, Kollë, 1920; Ferat Islami, Kollë, 1920; Rexhep Hamiti, Kollë,1920; FetahMusliu, Kollë, 1920; Zenel Shasivari, Kollë, 1920; Fazli Drevinja, Kollë, 1920; Rexhep Fazliu, Kollë, 1920; Ali Drevinja, Kollë, 1920; ArifAzemi, Kollë, 1920; Shaban Galica,mysafir në Kollë, 1920; LatifAzemi, Kollë, 1920; Hasan Bajgora, mysafir në Kollë, 1920;Abit Bajgora, mysafir në Kollë, 1920; Idriz Bajrami, Kollë, 1920; Idriz Bajrami, Kollë, 1920; SejdiAzemi, Kollë, 1920; Hajriz Hajrizi, Shallc, 1920;Ramë Hajrizi, Shallc, 1920; Hazir Ismajli, Shallc, 1920;Alush Ismajli, Shallc, 1920; ZejnullahAvdiu, Shallc, 1920; Halim Hajrizi, Shallc, 1920; Çun Sylejmani, Shallc, 1920;Mursel Salihu, Shallc, 1920; Hetem Sylejmani, Shallc, 1920; Xheladin Sylejmani, Shallc, 1920; Sefer Sejdiu, Shallc, 1920; Rexhep Sejdiu, Shallc, 1920; Vesel Sejdiu, Shallc, 1920; Lutë Luta,mysafir nga Brabaniqi, 1920; Rexhepi, ishte i nacionalitetit rom, punonte bari në Shallc, 1920; Halil Halili, Shallc, 1920; Hysen Gela, Mihaliq, 1920; Bajram Zenuni,Mihaliq, 1920; Beqir Zenuni,Mihaliq, 1920; Deli Asllani, Mihaliq, 1920; Osman Abdullahu,Mihaliq, 1920; Kadri Abdullahu, Mihaliq, 1920; Bajram Hoxha, Bequk, 1920; SelmanAlia, Bequk, 1920; Halim Mustafa, Stroc, 1920; Osman Hajrizi, Stroc, 1920; Zymer Hajrizi, Stroc, 1920; ShabanAdemi, Stroc, 1920; Nebih Jashari, Stroc, 1920;Mustafë Duraku, Stroc, 1920; Xhemajl Duraku, Stroc, 1920; SylejmanAliu, Stroc, 1920; HajredinAliu, Stroc,1920; Bajram Hajrizi, Stroc, 1920; Hamit Hajrizi, Stroc, 1920; Zymer Hasani, Stroc, 1920; Hasan Bajra Hasani, Stroc, 1920; Selma Bajra Hasani, Stroc, 1920; Hysen Bajra Hasani, Stroc,1920; Islam Isufi, Stroc, 1920; Deli Tahiri, Stroc, 1920; Salih Jashari, Strofc, 1920; Beqir Hajrizi, Strofc, 1920; Sylejman Hajrizi, Strofc, 1920; Islam Obria, mysafir në Strofc, 1920; Behrami nga Klina e Poshtme, mysafir në Strofc, 1920; Ramadan Fazliu, mysafir në Strofc, 1920; Shaban Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Hysen Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Jetullah Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Zenel Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Isuf Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Tafil Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Liman Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Fejzullah Krasniqi, Zhilivodë, 31 1920; Zylfije Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Musli Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Adem Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Xhemajl Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Behram Krasniqi, Zhilivodë, 1920; Ismajl Smajl Halimi, Siboc, 1920; Ahmet Hajrizi, Siboc, 1920; Tahir Krasniqi, Shipitullë, 1920; Hazir Hyseni, nuk duhet nga ishte, 1920; HazirMuzaqi, Brusnik, 1923; Bajram Muzaqi, Brusnik, 1923; ShaqirMuzaqi, Brusnik, 1923; Shaban Muzaqi, Brusnik, 1923; Ramë Muzaqi, Brusnik, 1923; TahirMuzaqi, Brusnik, 1923; Foshnja 3-muajshe e RamëMuzaqit, 1923; Halil Hajrullahu, Kollë, 1923;Ajet Ymeri, Shallc, 1923; Dibran Dibrani, Shallc, 1923; Osman Fazliu, Shallc, 1923; Ymer Ismajli, Shallc, 1923; Salih Salihu, Shallc, 1923; Islam Hoti, mysafir në Sallc, 1923; Behram Qorri, Dërvar, 1923; Hajrullah Hyseni, Dërvar, 1923; Bajram Salihu, Dërvar, 1923; Xhemajl Azemi, Strofc, 1941; Zejnullah Saraqi, Bivolak, 1941, ishte 16-vjeçar, Abdyl Klinaku, Bivolak, 1941; Hafiz Isufi, Kollë, 1945; Ramadan Hetemi, Kollë, 1945; Ymer Hetemi, Kollë, 1945; Asllan Salihu, Dërvar, 1945; Zenel Salihu, Dërvar, 1945; Musli Salihu, Dërvar, 1945; Nebih Salihu, Dërvar, 1945; Islam Hajra, Dërvar, 1945; Hajrullah Hajra, Dërvar, 1945; Rizah Hajra, Dërvar, 1944, 11-vjeçar, Hetem Murtezi, Dërvar, 1944; Hazir Ibishi, Dërvar, 1944, 14-vjeçar, Ali Tahiri, Dërvar, 1944; Beqir Tahiri, Dërvar, 1944; Hasan Tahiri, Dërvar, 1944; Azem Tahiri, Dërvar, 1944; Kadri Ymeri, Dërvar, 1944; Zymer Ymeri, Dërvar, 1944; Shaban Ymeri, Dërvar, 1944; Selman Zeqiri, Dërvar, 1944; Zeqir Zeqiri, Dërvar, 1944; Mon Selmani, Dërvar, 1944; Murat Abazi, Dërvar, 1944; Veli Abazi, Dërvar, 1944; Bajram Fazliu, Dërvar, 1945; Shaban Fazliu, Dërvar, 1945; Behram Haziri, Dërvar, 1945; Sejdi Haziri, Dërvar, 1945; Hana Koliqi, Dërvar, 1945; Hala Bajra, mysafire në Dërvar, 1945; Ferat Koliqi, Dërvar, 1945; Rifat Koliqi, Dërvar, 1945; Ahmet Koliqi, Dërvar, 1945; Murat Koliqi, Dërvar, 1945; Muharrem Salihu, Dërvar, 1945, Hysen Fejzullahu, Shallc, 1945; Halil Salihu, Dërvar, 1945; Xheladin Salihu, Dërvar, 1945;Ali Ymeri, Dërvar, 1945; Kamber Jashanica, Dërvar, 1945; Bajram Gali, së bashku me djalë, Dërvar, 1945; Bajram Haziri, Dërvar, 1945; Behram Haziri; Hajdar Jashanica, Dërvar, 1945; Kamber Jashanica, Dërvar, 1945; Zymer Mjeku, Graboci i Epërm, 1945; Bajram Mjeku, Graboc i Epërm, 1945; Rexhep Gjeli, së bashku  me djalë, Likoshan, 1945; Shaqir Bardiqi, Gradicë, 1945; Abaz Bardiqi, Gradicë, 1945; Emin Saraqi, Bivolak, 1946; Azem Jashanica, Bellaçec, 1947; Hajzer Jashari, Strofc, 1945; Halim Aliu, Strofc, 16-vjeçar, 1945; Ahmet Ademi, Strofc, 1912; Fejzullah Hasani, Strofc, 1913, i varur; Zymer Duraku, Strofc, 1922; Fejzullah Haziri, Strofc, 1945; Hazir Haziri, Strofc, 1945; Çun Hasani, Strofc, 1945; Rrahim Krasniqi, Siboc, 1945; Smajl Kodra, Bellaqec, 1945; Xhemë Gjuraku, Sllatinë, 1945; Abdullah Ymeri, Mihaliq, 1947; Shaban Ymeri,Mihaliq, 1947; Lazim Gela, Mihaliq, 1947; Mulla Ahmet Kelmendi, Siboc, 1945; Sylë Mehana, Mihaliq, 1945; Qazim Gela, Mihaliq, 1945; Zenel Ymeri, Mihaliq, 1945; Ramadan Sadiku, Mihaliq, 1945; Asllan Prenku, Mihaliq, 1945; Selim Zhushi, Mihaliq, 1945; Zeqir Mehana, Mihaliq, 1945; Rifat Hasani, Strofc, 1949; Rexhep Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Shaqir Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Hasan Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Avdi Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Daut Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Hamdi Krasniqi, Zhilivodë, 1945; Kamber Zeqiri, Vërnicë, 1941;Hetem Beqiri, Vërnicë, 1945; Isuf Veseli, Kollë, 1945; Shaban Veseli, Kollë, 1945;Asllan Xhemajli, Kollë, 1945;Man Perquku, Kollë, 1945; Kadri Krasniqi, Zhilivodë, 1923; Rexhep Ukella, Strofc, 1947; Rushit Ukella, Strofc, 1945; Xheladin Luta, Resnik, 1945; Qazim Zena, Shallc, 1945; Rrustem Fejzullahu, Shallc, 1945; Hajdar Fejzullahu, Shallc, 1945; Isuf Mehmeti, Shallc, 1945; Bajram Sejdiu, Shallc, 1945; Istref Halili, Shallc, i vrarë në Novi Pazar, 1943; Zymer Mustafa,Resnik, 1923; Ahmet Halili, Resnik, 1945; Ymer Curri, Resnik, 1945; Behram Makiqi, Resnik, 1945; Bislim Rrustem, Vërnicë, 1955; HalilMjeku, Graboc, 1912; Shaban Maxhuni, Siboc, 1941; Mustafë Maxhuni, Siboc, 1912; XhemajlMaxhuni, Siboc, 1912; Bajram Klinaku, Bivolak, 1917; Hajriz Klinaku, Bivolak, 1917; AliMehmeti, Mihaliq, 1917; Rexhep Syla, Mihaliq, 1917; Arif Jakupi, Shallc, 1917; Salih Jakupi, Shallc, 1917; Rexhep Selimi, Shallc, 1917; Musli Jakupi, Shallc, 1917; Hashim Hasani, Strofc, 1917; Çun Tahiri, Strofc, 1917.

( Lista e emrave të të pushkatuarëve është marrë nga libri i Muhamet Mjekut, „Vdekja në bunker“)

     Në vitin 1923, në familjen Muzaqi ndodhi masakra për hakmarrje. Kaçaku Musli Dervina kishte vendosur ta vriste malazezin kolonist, i cili ia kishte marrë tokën me dhunë. Një ditë kishte shkuar në familjen eMuzaqëve në Bruznik, pasi ishte mik i tyre. - Unë do ta kisha vrarë këtë derr moti, po kam frikë se ata do t’u hakmerren juve, - u kishte thënë miqve. Burri më i vjetër i Muzaqëve ia kishte kthyer: - Besa, bremik, nuk ka qenë adet ta marrë tokën shkau për së gjalli. Musli Dervina, pasi në një mënyrë e mori lejen nga miqtë e tij, doli dhe e vrau malazezin Boshko Besliqme gruan e tij. Pas kësaj vrasjeje, organet e shtetit sikur ishin tërbuar. Kishin organizuar hakmarrjen në kohën e të korrave, kur ishin tubuar të gjithë burrat e lagjes për t’i shirë të korrat. Sulmi ishte bërë në pabesi, me ç’rast janë vrarë: Tahir Muzaqi, Jahir Muzaqi, Bajram Muzaqi, Hazir Muzaqi, Shaqir Muzaqi, Shaban Muzaqi, Ramë Muzaqi, një mysafir dhe një foshnje tremuajshe.

 

Ramiz Qyqalla, njeriu që tërë jetën ia kushtoi atdheut

 

     Bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë asnjëherë nuk hoqën dorë nga aspirata e tyre për çlirim e bashkim kombëtar. Ata qëndruan stoikë, prore në shërbim të çështjes së shenjtë kombëtare. Vargut të gjatë të atdhetarëve të tillë iu bashkëngjit edhe Ramiz Qyqalla nga Bardhi iMadh, si dhe shumë atdhetarë tjerë nga ky fshat. Ramizi ka lindur në vitin 1905 në Bardh të Madh. Ishte kalitur si fëmijë, dallohej për trimëri, ishte i guximshëm dhe in dashur. Por, jeta e tij ishte një jetë jo zakonshme, që dallohej nga jeta e të tjerëve. Qysh në moshën nëntëvjeçare i vdes i ati, Rizahu. Ramizi mbetet fëmijë i pa fëmijëri, fëmijë i burrëruar para kohe, duke qëndruar përballë stuhive të jetës. E kuptoi shpejt pse jeta e popullit të tij po përjetonte ato vuajtje dhe pse nuk ishte i lirë, si popujt tjerë. E kuptoi edhe se kundër kujt duhet drejtuar gishtin e duhet zbrazur mllefin. Kështu, u bë njëra nga figurat më të dalluara të kohës dhe një njeri që e urrente aq shumë regjimin famëkeq të asaj kohe. Ramiz Qyqalla ishte i vetëdijshëm për rrugën jetësore që po merrte, për vendimin për t’i dalë zot tokës së vet. Inkuadrohet në radhët e luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare, luftë e cila kishte për qëllim largimin e fashizmit italian dhe nazizmit gjerman, si dhe çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera të okupuara në vitin 1912. Sepse trojet shqiptare duhej ta shihnin dritën, ta gëzonin lirinë, të bashkoheshin me nënën Shqipëri. Bindja që kishte formuar se me këtë luftë do të çliroheshin viset e okupuara dhe do të bashkoheshin me Shqipërinë e kishte nxitur Ramizin t’i bashkohej radhëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ramizi në njësi të Luftës Nacionalçlirimtare ishte inkuadruar qysh gjatë pushtimit fashist italian, pastaj edhe gjatë pushtimit nazist gjerman. Ishte përfshirë në të ashtuquajturin “mobilizim”,duke luftuar deri në Slloveni, në Kroaci e në Bosnjë e Hercegovinë. Ishte përjetues i masakrës së njohur të Tivarit, ku u vranë mijëra rekrutë shqiptarë. Ramizi tregonte se në Trogir ishte bërë një luftë, ku ishin vrarë shumë shqiptarë, jo vetëm prej nazistëve, por edhe nga brigadat partizane. Jugosllavët i përdornin shqiptarët për ta ndjekur pushtuesin e jashtëm, duke pas për qëllim shfarosjen e elementit shqiptar në kaosin e luftës. Shqiptarët kishin mbetur si jetimë, duke qenë të gënjyer e të tradhtuar nga kreu shtetëror jugosllav dhe nga Titoja. Ishte viti 1944, që paraqiste fazën e fundit të luftës. Jugosllavia përgatiste terrenin që ta bënte çështjen e Kosovës akt të kryer, që Kosova të mbetet nën Jugosllavi. Luftëtarët shqiptarë përdoreshim vetëm si argatë në luftë. Kjo politikë vrasëse e shfarosëse zbatohej edhe kundër elementit mysliman të Bosnjës. Bandat partizane-çetnike masakronin popullatën e pafajshme. Ramiz Qyqalla ka rrëfyer: - Më kujtohet, njëherë, kur ishim duke marshuar nëpër rajonin e Foçës, në një fshat që quhej Ustikolinë, bandat partizane-çetnike i kishin lidhur fshatarët rreth një stogu me kashtë dhe ishin përgatitur për ta djegur kashtën bashkë me fshatarët. Brigada jonë, me një ndërhyrje të zjarrtë luftarake, i përzuri çetnikët. Një fshatar i Ustikolinës thoshte me mirënjohje: “Po të mos ishit ju shqiptarët, çetnikët neve do të na kishin djegur për së gjalli. Zoti ju shpërbleftë, o shqiptarë!”

     Deri sa Ramizi luftonte në frontet e luftës nëpër Jugosllavi, vëllai i tij, Shaban Qyqalla, bashkë me Nazmi Gërgurin e Ramadan Berishën, kanë qenë luftëtarë në Brigadën e Shtatë, që vepronte nëpër Kosovë, si në Bujan, në Gjyrkoc të Shtimes e në Kraishtë të Lipjanit. Shabani ka rrëfyer: - Në Kraishtë  patëm zhvilluar sulm të ashpër kundër një bande çetnike, e cila paraprakisht i kishte maltretuar banorët e Bardhit të Madh. Çetnikët e kësaj bande ishin të veshur me rroba civile, kurse në kapelë mbanin yllin partizan. Të maskuar, si partizan, ata terrorizonin shqiptarët. Mobilizimin në Brigadën e Shtatë e kishte bërë komandanti i një batalioni, Ejup Binaku, në muajin tetor të vitit 1944. Ai na bënte thirrje për t’u inkuadruar në brigadë, me fjalët: - Hajdeni në brigadë! Ne i jemi përgjigjur: “Do të vijmë, po me kusht që të qëndrojmë në Kosovë, për me e mbrojt Kosovën këtu. Jashtë Kosove ne nuk pranojmë të shkojmë! A po e sheh se çka po bajnë çetnikët me popullin tonë! Kur forcat naziste gjermane e humbën luftën, për shqiptarët erdhën përsëri ditë të zeza. U shtuan edhe më shumë vrasjet, torturat, dhembjet, lotët. Shqiptarët u tradhtuan dhe u prenë në besë nga regjimi serb. Premtimi i udhëheqjes jugosllave të LNÇ-së se pas çlirimit nga nazifashizmi do të zgjidhet edhe çështja e shqiptarëve sipas të drejtës për vetëvendosje, nuk u mbajt. Dhe, jo vetëm se nuk u mbajt premtimi, por u ushtrua dhunë e egër, me qëllim të frikësimit të popullit shqiptar për të hequr dorë nga aspirata për t’u bashkuar me shtetin amë, Shqipërinë. U përgatit dhe u realizua plani për aneksimin e Kosovës nga Serbia, u organizua Konferenca e Prizrenit në vitin 1945, e cila hodhi poshtë Rezolutën e Bujanit dhe shpalli aneksimin e Kosovës nga Serbia. Kundër kësaj tradhtie dhe kundër pushtimit të sërishëm të Kosovës dhe viseve tjera shqiptarët përparimtarë e atdhetarë filluan të organizonin rezistencën. U formua organizata ilegale Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), si një forcë politike që doli hapur kundër politikës mashtruese të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Kjo organizatë, që nga fillimi i veprimtarisë së vet, shpalosi platformën politike të ribashkimit të Atdheut dhe filloi organizimin e radhëve të veta. Organizata kishte për qëllim çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve me Shqipërinë, me parimin “Guha - guhën me sunue”.

     Dokumentet arkivore dhe dëshmitarët saktësojnë se NDSH-ja  është formuar në Gjakovë në vitin 1943, si organizatë atdhetare. Themelues ishin Selman Riza, Halim Spahiu etj. Ramizi thoshte se idenë për formimin e NDSH-së i pari e ka shtruar Selman Riza në vitin 1943, por nga rrethanat e luftës nuk kishin mundësuar përhapjen e shpejtë të Organizatës. Organizata i kishte formuar komitetet në Shkup, në Prizren dhe në vende tjera. Krahas anës politike, u formuan edhe njësi të armatosura, të cilat kishin për qëllim largimin e ushtrisë pushtuese të Jugosllavisë dhe, në anën tjetër, rikthimin e besimit në popull se ribashkimi me Shqipërinë është i mundur dhe do të bëhet. Mirëpo, për shkak të rrethanave të asaj kohe, organizata nuk kishte mundësi të përhapej në tërë Kosovën. Pothuajse në fillim të veprimtarisë zbulohen dhe burgosen anëtarët e saj. Janë dënuar me pushkatim Tahir Deda, Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani, SefedinAhmeti, Rexhep Kabashi etj. Selman Riza i kishte shpëtuar pushkatimit dhe kishte ikur në Shqipëri. Ramiz Qyqalla, që nga fillimi, ishte inkuadruar në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Ishte njohur me Selman Rizën, Halim Spahiun, Tahir Berishën, Rifat Berishën, Ibrahim Lutfiun, Sadik Tafarshikun, Rizah Strellcin etj. Ramizi kishte rënë në kontakt edhe me Gjon Sereçin, Ymer Berishën, Ukë Sadikun, major Qinisin, kapiten Gjonin, Ajet  Gërgurin, Aleks Budën e me shumë të tjerë. Ribashkimin e  rojeve shqiptare Ramizi nuk e quante “kapitull të mbyllur”. Ai besonte se bashkimi do të arrihej shkallë-shkallë. Si çështje të ngutshme e llogariste Kosovën, e cila duhej të nxirrej nga administrimi jugosllav.

(Janar 2011)

 

 

© Pashtriku.org

 

Rrëfimi i qëndresës nëpër kazamatet jugosllave
 
ILMI MUZAQI: NË BURGUN E GOSPIQIT
TORTURAT ISHIN TË TMERRSHME!
 
 
      Duke shfletuar historinë e popullit shqiptar, duke e njohur njëkohësisht udhën drejt lirisë, me të drejtë mund të konstatojmë se ky popull ka përjetuar egërsinë e pushtuesve të shumtë. Kjo egërsi si e tillë u shfaq në mënyrë dramatike, e sistemuar sipas metodave të ndryshme të një dhune të paparë, por edhe sipas metodave dinake e psikologjike, sidomos duke përfshirë perudhën pas viteve 1912 e deri më ditët e sotme. S`ka dyshim kjo dhunë ishte shfaqja më e egër drejt synimeve për zhbërjen popullit autokton shqiptar, nga udhëheqjet e një populli që kishte shtrirë epshet e veta të egërsisë për të pushtuar dhe për të fituar në saje të arrogancës dhe çmendurisë. Filozofia e zhbërjes dhe në anën tjetër filozofia e ruajtjes së identitetit, sollën një luftë të pakompromis. Megjithatë, populli shqiptar me luftën heroike dhe qëndresën e tij nëpër periudha të ndryshme kohore, ishte i përkushtuar t`i ruante tiparet dhe vlerat kombëtare, natyrshëm pra edhe trojet e veta, madje me çdo çmim duke vënë në pah moscopëtimin e Shqipërisë. E megjithëkëtë popullin shqiptar dhe atdheun e tij e copëtuan dhelpërat politike europiane dhe ujqërit e tërbuar, fqinjët e Shqipërisë. Por, bijtë dhe bijat më të mirë të Atdheut nuk u thyen shpirtërisht.
·       Në fakt lind pyetja pse tërë këtë fatkeqësi e ka kombi ynë!?
     Sigurisht kjo fatkeqësi erdhi së toku me filozofinë e zhbërjes, nga një popull që në unin e tij kishte krijuar urrejtje, tërbime për të robëruar e pushtuar. Me të gjitha këto elemente barbare, ky popull i Karpateve u bë fatkeq për Ballkanin, i cili shtrihej në mënyrë të pakontrolluar në viset e vendësve. Ardhja dhe shtrirja e tyre në Ballkan u bë në mënyrë të heshtur e thua të padukshme, si njerëz të rrugëve “arixhi”, të cilët, më vonë, në saje të filozofisë së zhbërjes, filluan të dalin në skenë.
     Siç shihet edhe nga historia, në kohën e pushtimit osman, këta ardhacakë ishin shumë të favorizuar. Ky favorizim për ta u bë në saje të përkuljes e të joshjes, pikërisht në atë kohë kur pushtuesi otoman kishte shtrirë pushtimin e vetë gati në të tërë Ballkanin. Me këtë shtrirje synonte që ta pushtonte madje edhe shpirtërisht Shqipërinë dhe t`i shuante shpirtrat e heronjve, apo popullit të shqiptar. Por, siç dihet historikisht shqiptarët kur nuk reshtën së punuari, së vepruari dhe së luftuari për liri. Kështu për Turqinë u krijua një katrahurë e madhe, sepse shqiptarët nuk arrinte t`i nënshtronte. Në zjarrin e këtyre përpjekjeve turke për t`i nënshtruar shqiptarët në njërën dhe në anën tjetër lufta e shqiptarëve për liri dhe çlirim, duke qenë tanimë shqiptarët e lodhur, gjetën hapësirë dhe morën fuqi barbare ardhacakët, pra pupujt sllav në Ballkan e në veçanti serbët të cilët u bënë si lugetër.
      Realisht këta lugetër të rebeluar, filluan një luftë të hapur ndaj Shqipërisë dhe trojeve të saja. Për fat të keq shqiptarët në këtë periudhë pësuan shumë. Tashmë Serbinë diku hapur e diku fshehurazi rusët e mbronin. Veç kësaj për copëtimin tragjik të trojeve shqiptare, që nga e kaluara e madje deri edhe në ditët tona, janë përgjegjës të shumëfishtë evropianët. E mu për këtë përgjegjësi të tyre sot duhet të jenë pikërisht europianët e sotëm të arsyeshëm, ta thonë të vërtetën dhe ta zgjidhin njëherë e mirë çështjen shqiptare. Zgjidhja e drejtë është e domosdoshme: Shqipërisë t`ia rikthejnë viset e okupuara nga serbo-malazezët, maqedonët dhe grekët, sepse në qoftë se Shqipërinë natyrale e pengojnë për t`u ribashkuar, jo vetëm nuk do të ketë qetësi në Ballkan dhe Europë, por njëkohësisht nuk mund të flitet për vlerat e lirisë dhe demokracisë të cilat i trumbetojnë shumë sidomos europianët e sotëm.
      Përmes këtij shkrimi, qëllimi im nuk është që t’ua sjell faktet historike, por jam duke i shfrytëzuar ato, meqë na ndihmojnë për ta sqaruar në thelb idenë dhe shtytjen shpirtërore për të shpjeguar edhe pyetjen se përse kombi shqiptar përjetoi tragjeditë e njëpasnjëshme.
      Për ta zbërthyer sa më qartë këtë ide dhe për t’ia afruar lexuesit një histori të dhimbshme që kanë përjetuar shqiptarët, do të flasim drejtpërsëdrejti me njerëzit që përjetuan torturat, dhunën, brutalitetin e tmerret në burgjet jugosllave, vetëm dhe vetëm pse ishin dhe janë shqiptarë dhe ishin dhe janë të patundur në themelet e Shqipërisë natyrale.
      Duke filluar me këto figura të ndërgjegjes, historia jonë nuk mund të mos lidhet ngushtësisht me gjakun e dëshmorëve të rënë, e njëkohësisht edhe me legjendën e gjallë bacë Adem Demaçin, i cili për shumë dhjetëvjeçarë e ngriti vetëdijen kombëtare dhe e bëri luftën e madhështore për ribashkimin e Shqipërisë natyrale.
Së pari do ta nisim punën me veprimtarin
Ilmi Muzaqi
  
Kush është Ilmi Muzaqi?
 
      Ilmi Muzaqi u lind në fshatin Bruznik të komunës së Vushtrrisë, më 05. 02. 1945. Ai është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Veprimtaria e tij atdhetare filloi si i ri, sepse që atëherë kishte bindje të theksuara atdhetare. Ai kurrë s`pushoi së vepruari për të jetësuar idealet për ribashkimin e Shqipërisë së natyrshme, prandaj policia jugosllave e arrestonte, torturonte dhe më në fund e dënonte me burgim si shumë shqiptarë të tjerë.
 
 
      Sikur shumë familje atdhetare shqiptare ishte padyshim edhe familja e Ilmi Muzaqit, familje në tërësi e përkushtuar ndaj Atdheut, duke ruajtur të shenjtë frymëzimin e patjetërsueshëm se një ditë të gjithë shqiptarët do të bëhen pjesë e jetës së lirë në Shqipërinë etnike. Pa bashkimin e kombit nuk ka as jetë, as liri. Ky qëllim u bë pjesë e pandarë e kësaj familje, prandaj kishin luftuar kundër forcave pushtuese çetnike.
      Familja Muzaqi ishte njëra ndër ato familje që ia kishte dhuruar djemtë e vetë luftës, ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare, me të vetmin qëllim për t`i çliruar viset e robëruara shqiptare dhe për t`i ribashkuar me shtetin shqiptar. Me këtë bindje bijtë e kësaj familje iu bashkëngjitën edhe radhëve të çetës të Shaban Palluzhës dhe iu përgjigjën thirrjes: “Kush është shqiptar t’i dalë zot Atdheut”. Kjo thirrje e preku në shpirt birin e Muzaqëve, Adem Muzaqi - Mixha i cili pahezituar fare ju bashkua çetave çlirimtare. Në saje të aktivitetit të tij bëhet njëri ndër komandantët në batalionin e Ortokollit. Kështu ju besua detyra e udhëheqjes dhe komandimit të një numri prej më shumë se 300 ushtarëve. Po përveç Mixhës që tashmë ishte bërë komandat, në këtë luftë në detyrën e rreshterit kishte qenë edhe babai i tij Ali Muzaqi. Kjo vazhdimësi atdhetare e kësaj familje u përcoll brez pas brezi.
      Kështu më, 1981 del në skenë një figurë e re e kësaj familje po me të njëjtat ideale, që me atë shtytje shpirtërore e familjare, i cili edhe u bë njëri ndër nismëtarët e parë të demonstratave të vitit 1981 në Vushtrri. Ne duke parë se si figurat e ndërgjegjes disi po lihen anash, e ndonjëherë edhe përbuzen e braktisen, mendoj se dikush duhet të shkruajë për to, sepse edhe brezat e ardhshëm dhe shoqëria sotme duhet ta kuptojnë se pa lëvizjen e veprimtarinë atdhetare të atyre bijve të devotshëm të shqiptarizmës nuk do ta kishim sot aspak frymëmarrjen e lirë në Kosovë.
 
* * *
     Pyetja: I nderuari I.Muzaqi më duket se politika e sotme disi gjeneratën tuaj atdhetare, atë më të hershmen e gjithashtu edhe më të vonshmen i ka lënë anash. Si do ta komentonit ju këtë?
     I.Muzaqi:Natyrisht nuk pajtohem dhe s`do të pajtohem kurrë, sepse ne kemi qenë drejtpërsëdrejti pjesëmarrës aktiv në të gjitha situatat e ngjarjet e rëndësishme kombëtare, sidomos që nga viti 19981, ndoshta edhe udhërrëfyes, prandaj kjo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, pas Luftës së UÇK-ës, duke anashkaluar figurat e ndërgjegjes kombëtare më duket jo vetëm e çuditshme por edhe kriminale.
 
     Pyetja: E sot, ku jemi !?
     I.Muzaqi: Ne jemi përcaktuar për ta bërë Shqipërinë etnike, kurse ulëset nuk na bëjnë përshtypje, e as politika e sotme.
 
     Pyetja: Mirë, po largohemi nga e sotmja e po fillojmë me vlugun e punës tuaj të rinisë. Na thoni se ç`ju shtyri të jeni i lidhur ngushtësisht me ngjarjet e 81-ës?
      I.Muzaqi: Po u them shkurt për pjesën e parë të pyetjes: rinia ka qenë, është dhe do të jetë promotor i të gjitha ngjarjeve kombëtare. Natyrisht ky ideal i rinisë ende është i freskët në shpirt dhe besoj se derisa të jetësohet ribashkimi i Atdheut, veprimtaria e tyre nuk do të ndalet. E sa i përket pjesës së dytë të pyetjes mund t`ju them se shtytjet janë të mëdha, meqë edhe brezat e mëparshëm na kanë lënë trashëgim përpjekjet, veprimtarinë dhe luftën për liri e Shqipëri. Siç dihet botërisht ne jetonim të robëruar nga Serbia dhe ish Jugosllavia që kishin të qartë qëllimin e tyre për të na zhdukur si popull, prandaj, patjetër, gjaku i pastër shqiptar do të vepronte dhe do të bënte rezistencë aktive. Po sa i përket ngjarjeve të 11 dhe 26 marsit 1981 që ndodhën në Prishtinë, ishin sinjale të qarta që paralajmëronin zgjimin e popullit tonë nga mashtrimet jugosllave. Ndërsa dhuna e policisë ish jugosllave me brutalitetin fashist mbi studentët na shtyri që ne të mendojmë seriozisht se si të veprojmë më tutje, sepse tani më ishim të sigurt se kupa ishte mbushur dhe natyrshëm nuk durohej më dhuna.
      Unë në atë kohë, isha në rrjedha dhe thuajse për shumë gjëra isha i informuar në hollësi, se si po zhvilloheshin ngjarjet në Prishtinë. Edhe më parë isha i lidhur ngushtësisht më 1979 -ën me disa shokë dhe veprimtarë të shquar të asaj kohe, pikërisht me: Ramadan Pllanën, Xhemajl Pllanën, Selim Pllanën, Shefqet Dibranin, me veprimtarin e shquar Osman Dumoshin, tanimë të ndjerë dhe me Sabri Novosellën. Me Sabriun kam pasur dy takime të rëndësishme në Prishtinë dhe në njërën nga fshatrat e Vushtrrisë, në Dumnicë. Në atë kohë Sabriu ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me veprimtarin e shquar Jusuf Gërvalla. Që ta them më qartë, pasi doli në skenë Hydajet Hyseni dhe mori mbi supet e veta drejtimin e demonstratës, për ne ishte më e lehtë veprimtaria, meqë tashmë e dinim se rruga e veprimtarisë dhe aktiviteteve atdhetare ishte edhe më e qartë. Kjo u pa më konkretisht më 1 prill1881 në demonstratën madhështore në Prishtinë. Pas këtyre ngjarjeve ne kemi filluar nëpër komuna të vepronim, të bënim organizime ta informonim popullin me kërkesat tona të asaj kohe kundër pushtuesit serbo-malazezo-maqedon.
 
     Pyetja: Sipas të dhënave dhe sipas një vepre artistike, konkretisht sipas një drame që kam pasur rastin ta shohë në teatrin e Vushtrrisë, ju keni qenë personazhi kryesor i demonstratës në Vushtrri. A mund të na thoni diçka më shumë?
     I.Muzaqi: Ndoshta nuk më takon mua të them se isha organizator kryesor, por që ta them të drejtën isha njëri ndër nxitësit kryesor, prandaj pa hezituar fare mora mbi supet e mia barrën e organizimit të demonstratës, meqë isha i motivuar për të vepruar dhe e dija se demonstrata do të kishte në tërë Kosovën. Unë ishte i vetëdijshëm se ishte e domosdoshme dhe moralisht e nevojshme t’iu dilnim në përkrahje studentëve dhe kërkesave të arsyeshme të tyre, prandaj iu futa veprimtarisë për organizimin e një demonstrate në Vushtrri. Më vonë më përkrahën trimërisht shokët e punës si: Jakup Shuti, Nebih Sejdiu, Bajram Latifi.
      Me Jakup Shytin kemi qenë punëtorë të punishtës së Bukoshit të Vushtrrisë. Gjatë orarit të punës me Jakupin kemi biseduar për ngjarjet e Prishtinës. Unë e dija se është njeri i mirë dhe atdhetar, megjithatë isha i interesuar ta kuptoja mendimin e tij. Ai pa hezituar fare i pranoi mendimet e mia e më doli krah për organizimin e demonstratës në Vushtrri. Kështu më, 2 prill vendosëm të niseshim nga fshati Bukosh, i cili është diku afër dy kilometra e gjysmë nga Vushtrria. Pikërisht në ora dymbëdhjetë, atëherë kur është koha e drekës u nisëm të shkonim në punishten e armaturës e të bisedojmë me shokët tanë që punonin atje. Kjo nismë e jona për të demostruar u përkrah pamëdyshje nga punëtorët. U pajtuam gati të gjithë, që demonstrata të fillonte në ora 13,30 edhe pse pati zëra që kundërshtonin, por ama ishin të paktë.
      Për të siguruar mbarëvajtjen e demonstratës sa më të mirë, meqë kisha marrë për sipër këtë organizimin, ndieja një përgjegjësi të madhe, prandaj i shikoja të gjitha rrugët e mundshme edhe të ndonjë dështimi a të ndonjë veprimi të pahijshëm. Ne dinim se në dalje të punishtes tek porta qëndronte një person si roje me një pushkë M 48. Duke dyshuar se mos rojtari do të shtinte me armë, vendosa fillimisht të bisedoja me të dhe të bindesha se a është i pajisur me municion. Pasi bisedova me të afërsisht 15 minuta, kuptova se ai nuk kishte fare municion. Por, edhe tha se edhe po të kishte municion nuk do ta shtinte kurrë mbi qytetarët e njerëzit e popullit të vet, prandaj u siguruam që të mos kishin merak fare nga ai. Më pas u ktheva me besim tek shokët dhe morëm vendimin që aty t’ia fillonim demonstrimit dhe ashtu ndodhi. Pa u hamendur vazhduam rrugën deri te shkolla e Mesme “Muharrem Bekteshi”
 
     Pyetja: I nderuari Ilmi, pse u nisët drejt shkollës, a kishit qëllim që edhe nxënësit t’i përfshini në demonstratë!? 
     I.Muzaqi: Jo, ky nuk ishte qëllimi ynë, por ne mësuam se në shkollë ishte mbledhja e anëtarëve të kryesisë së Komitetit Krahinor dhe ne mendonim që t’ju drejtoheshim edhe atyre me kërkesat tona të arsyeshme të asaj kohe. Po me të shkuar në oborrin e shkollës doli ish kryetari, tashmë i ndjeri Isak Merovci, i cili më njihte mirë, pasi ishte edhe mik i familjes sonë dhe mu drejtua me këto fjalë: “Ilmi ju lutem, ta ndërprisni demonstratën, sepse jemi në mbledhjen e partisë, me anëtarët e Komitetit Krahinor”. Ndërsa përgjigjja jonë ishte: “Demonstratat nuk i ndalojmë për hatër të askujt dhe mu për këtë arsye kërkesat tona do të jenë edhe më të fuqishme që t’ua tërheqim vërejtjen komitetlinjve se ç`po ndodh me popullin tonë”.
     Derisa zgjati kjo bisedë nxënësit e vitit të katërt që mbanin gjuhë dhe letërsi shqipe rrufeshëm ju bashkëngjitën demonstratave, bile-bile ata u bënë aq të shkathtë ku në çdo pjesë të qytetit organizonin dhe mblidhnin njerëz në përkrahje të demonstratës që tashmë veç kishte filluar. Pas këtij hovi demonstruesit bindshëm filluan marshimin drejt qendrës së qytetit. Kur policia vuri re organizimin tonë të fuqishëm dhe pasi e pa turmën e madhe, i zuri frika. Ata ndërmorën një ofensivë të egër. Fillimisht nisën të barrikadoheshin te posta dhe hidhnin bomba me gaz lotsjellës. Pasiqë një ngushticë ishte në favor të policisë, dhunshëm u detyruam të ndahemi në grupe dhe të shkonim në pjesë të tjera. Por pas barrikadës së policisë, demonstruesit e revoltuar bllokuan rrugën Mitrovicë-Prishtinë, e më pas një pjesë e demonstruesve i drejtohet fabrikës së ngjyrës “Ekstra”. Demonstratës iu bashkangjiten punëtorët e kësaj firme, më vonë edhe punëtorët e një firme tjetër të quatur “Polet”.
     Dua të theksoj mbi të gjitha, se në mesin e punëtorëve të firmës “Polet” ishte një vajzë trimëreshë e cila quhet Dinore Curri, që me trimërinë dhe guximin e saj, po edhe me oratorinë e zërin e zjarrtë, arriti që t’i fuste të gjithë punëtorët e organizatës së saj në demonstratë, pasi që edhe shumica ishin femra. Në këtë kohë Vushtrrinë rreth e përqark e mbuloi zëri i arsyes, zëri demonstruesve.´
 
     Pyetja: Pasi mbaroi demonstrata në Vushtrri, ju si organizator, si i vlerësuat këto dhe a burgosën polcia njerëz?
     I.Muzaqi: T`ju them të drejtën demonstrata në Vushtrri ishte aq shumë e suksesshme saqë ashtu me atë gatishmëri, me atë vrull dhe madhështi nuk e kishim menduar se do të ndodhte. Gjatë demonstrimit pati për fat të keq edhe të 2 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Ishte edhe një befasi e madhe për policinë: demonstrimi ishte madhështor, meqë zyrtarët e asaj kohe madje nuk kishin pasur bindje se në Vushtrri do të ndodhnin demonstrata, pasiqë ishin forcat e mëdha policore. Por, megjithëkëtë bijtë dhe bijat e popullit heroik shqiptar edhe në Vushtri treguan gjallërinë e dhe madhështinë e qenies shqiptare. Për ne ishte një fitore e madhe, meqë bindëm masën e gjerë popullore të protestonte kundër dhunës së atëhershme të ish-Jugosllavisë. Ndërsa burgosjet ishin të pritura si në tërë Kosovën edhe në Vushtrri. Megjithatë, për mua ishte një befasi, takimi që pata me një polic të cilin e quajnë, Enver Skoshnja. Atë e njihja prej një kohe shumë të gjatë dhe ndër të tjera më tha: “Të keni kujdes! Ti je në shënjestër të policisë. Të jeni të sigurt se do t’ju arrestojnë”. Për mua mbi të gjitha kishte vlerë që demonstratat të organizoheshin mirë dhe të ishin të e suksesshme. Ne ishim të vetëdijshëm, se policia ndonjërin nga ne, do ta burgosnin, por kjo s`kishte rëndësi, sepse ne ishim të gatshëm të sakrifikoheshim. Për fat të keq, në atë botë të shthurur më nuk ishin vetëm uniformat e policisë dhe ushtrisë pushtuese që peshonin tepër rëndë mbi tokën dhe popullin shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish Jugosllavinë e atëhershme, por edhe disa lugetër shqiptarë të zhytur në ndyrësinë tradhtisë si: pedagogu Sylejmon Magjuni, të cilët edhe i zunë frymën nënqiellit shqiptar. Ky njeri i shëmtuar me helmin e tradhtisë ishte njëri ndër më aktivistët për spiunim, njëri ndër bashkëpunëtorët e UDB-ës, të cilin e vura re në gjykatore. Ai kishte ardhur gjoja si dëshmitar në proceset e gjykimit për të paraqitur sa më shumë të “dhëna”, në fakt për të shpifur sa më shumë vetëm e vetëm që të na dënonin sa ma shumë në atë gjyq jugosllav.
     Këtë shëmtirë tradhtare e takova më vonë pas 10 viteve, i cili kishte qëndruar gjithnjë po në të njëjtin pozicion: besnik i UDB-ës, dhe mbrojtës i denjë i politikës serbe. Ai qe edhe në atë kohë gjoja si dëshmitar se kinse në Kosovë po bëhen skenarë të helmimeve të nxënësve nga nacionalistët shqiptarë etj. Helmime këto që në vërtetë policia sebe i bëri për të shuar jetërat e fëmijëve shqiptarë. Më vonë u dëshmua se ky lloj helmimi kishte ardhur nga Izraeli. Për fat të keq këtë tradhtar e kam parë edhe pas luftës heroike të UÇK-ës, dhe për çudi ai punonte përsëri si pedagog. Kjo mund të ndodhë vetëm në këtë lloj katrahure politike si në Kosovë.
 
     Pyetje: I nderuri Ilmi juve ju arrestuan dhe a pati arrestime tjera?
     I.Muzaqi: Po, po, ka pasur arrestime të shumta. Mua me dhjetëra të tjerë si: J.Shytin, Nebih Sejdiun, Bajram Latifin, Nazmi Popovën, Beslim Bajramin, Bali Dervishin, Dinore Currin, dhe shumë e shumë të tjerë, na arrestuan.
 
     Pyetja: Kur dhe ku ju arrestuan si dhe në cilin burg ju dërguan?
     I.Muzaqi: Më arrestuan në fshatin e lindjes me 8 prill 1981. Pastaj më dërguan në burgun e Qarkut të Mitrovicës, më vonë në Gospiq të Kroacisë. Në fakt këto qenë internime. Kështu internim pas internimi kalova edhe në Lepogllavë, Staragradisht, Gospiq. Në Lepogllavë më izoluan me një kroat i cili quhet Bagiq. Ai tani është ministër në Kroaci.
 
GJYKIMI NË “EMËR TË POPULLIT”!
 
Më 04. 08. 1981, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në bazë të neneve 114 dhe 139 të LP të RFSJ’së, në „emër të popullit” u denuan:
 
1. Ilmi Muzaqi, me 10 vjet burgim të rëndë;
2. Bali Dervishi, me 13 vjet burgim të rëndë, dhe
3. Dinore Curri, me 11 vjet burgim të rëndë.
 
Ndërkaq, më 15. 09. 1981, po në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, u denuan edhe këta veprimtarë:
 
1. Jakup Shyti, me 8 vjet burgim të rëndë,
2. Xhevat Deliu, me 6 vjet burgim të rëndë,
3. Bajram Latifi, me 5 vjert burgim të rëndë,
4. Bislim Bajrami, me 5 vjet burgim të rëndë,
5. Nebih Sejdiu, me 5 vjet burgim të rëndë,
6. Zeqir Murati, me 5 vjet burgim të rëndë, dhe
7. Nazmi Hyseni, me 5 vjet burgim të rëndë.
 
( Përgatiti moderatori i pashtriku.org )
 
     Pyetja: Ju të gjitha këto burgje i kaluat, po ç`mund të na thoni më tutje? Për hir të së vërtetës është e domosdoshme të dijë populli se ç`kanë përjetuar njerëzit e ndërgjegjes nëpër burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë?
     I.Muzaqi: Për ne, shqiptarët, burgu tashmë ishte bërë një gjë normale, por ajo që na mundonte ishin shpifjet që bëheshin dhe burgosjet e të rinjve pa kurrfarë arsye, vetëm e vetëm për arsye të përkatësisë shqiptare. Ajo më e keqja ishte që na visheshin veprime të cilat nuk kishin ndodhur, e kjo bëhej qëllimisht për të na diskretituar në popull dhe për të gjetur elemente që të na dënonin me vite të tëra dhe të rënda që të vuanim sa më shumë në burgje . Ligjet i interpretonin siç donin. Është famëkeq neni i ashtuquajtur 114, në bazë të të cilit na denonin gjoja për kundërrevolucion. Qëllimet tona ishin të njohura në bazë të kërkesave që dolën në tërë Kosovën, dhe kjo nuk kishte të bënte asgjë me kundër- revolucionin. Për të qenë sa më realist duhet ta themi vërtetën e hidhur e tragjike, se nëpër këto burgje rinia shqiptare përjetoi tmerrin e paparë. Ndoshta vetëm në kohën e inkuizicionit, mund të ketë pasur një tmerr të tillë.
     Keqtrajtimet që bëheshin nëpër hetuesitë barbare jugosllave linin dëshmi edhe në muret e përgjakura të burgjeve. Më kujtohen hijet e rënda: udbashët e shëmtuar, kriminelë siç janë Burhan Prishtina, Mirosllav Milic nga Gojbula e shumë e shumë të tjerë, të cilët jo vetëm bënin krime, por paraqiteshin edhe si hije tmerri edhe në pikëpamje psikologjike.
     Për fat të keq këso hije të zeza ka pasur shumë, por numri i tyre më i madh në Kosovë ishte i përbërë nga shpirtshiturit shqiptarë. Njëri prej tyre që më ka ngelur në kujtesë më shumë njëfarë Ismet Gashi nga fshati Kryshefc i cili dhelpërisht i mbrojtur nga serbët, na qëllonte neve të arrestuarve me kondakë të pushkës, në kohën kur na çonin drejt burgut. Por këtyre krimeve nuk ju bashkangjiten gardianët e ndershëm, të cilët e kanë pasur shumë vështirë t’i shikonin të gjitha këto, sepse e ndienin me shpirt vuajtjen që përjetonim ne. Ata nuk mund të na ndihmonin gati asnjëherë, por ka pasur momente kur kanë gjetur mundësi të na ndihmonin.
 
     Pyetja: Pasi përfundoi procesi i hetimeve ç`ndodhi me juve?
     I.Muzaqi: Mua më dënuan me 10 vite burg të rëndë. E poashtu edhe shokët e mi i denuan më, 26 apo 27 nëntor. Para transferimit diku në orët e mbrëmjes mësova nga dy gardianë se për ne po përgatitej një skenë e tmerrshme. Në tërë Kosovën kishin dalë ca afishe të “Komitetit të Maleve” dhe nga frika udbashët kishin organizuar të na çonin në një internim shumë sekret. Por meqë këta dy gardianë i njihja dhe këta kishin besim tek unë, më treguan se diçka e keqe do të ndodhte me neve. Lajmin e mora nga të dy veç e veç. Unë e kuptoja se diçka po ndodhte, por sidomos sipas Skender Koprivës po përgatitej një gjendje e mundshme për transferim. Të nesërmen në mëngjes herët, na nisën për të na transferuar. Fatmirësisht këta dy gardianë që i njihja na shoqëruan deri në burgun e Prishtinës. Skënder Kopriva nga eprorët e tij kishte marrë vërejtje kërcënuese, për arsye se nuk na i shtrëngoi prangat. Por ai ju është përgjigjur atyre : “- Unë e di mirë punën time, madje për këtë e kam edhe rregulloren.” Ajo gjendje, për të cilën më kishin paralajmëruar gardianët shqiptar, sapo kishte filluar në momentin, kur po na dorëzonin tek policët serbo-maqedono, kroato-malazezë, sllovenë e boshnjakë. Këto përbërje forcash policore shumënacionale paprejashtim ishin kriminale e njëkohësisht barbare. Në momentin kur na dorëzuan dy gardianët shqiptarë tek këto forca kriminale policore, vumë re fytyrat e Skënderit dhe shokut të tij gardian, se qenë zbehur dhe dukej qartë edhe një keqardhje e madhe tyre, meqë u detyruan të na linin në duart e xhelatëve. Dallimi në mes të këtyre gardianëve shqiptarë me punëtorët e sigurimit krahinor ishte i madh, sepse këta punëtorë të Sigurimit Krahinor dukeshin se i kanë fytyrat kriminale njëlloj siç i kishin edhe forcat policore shumënacionale jugosllave. Sigurisht me këshillat e këtyre punëtorëve të Sigurimit Krahinorë, policët kriminelë mua dhe shokët e shumtë, që na kishin arrestuar na trajtonin si skllevër, duke na lidhur me zinxhir e me pranga nga 3 - 4 apo edhe më shumë veta së bashku dhe duke na torturuar mizorisht.
 
     Pyetja: Inderuari Muzaqi po e shoh se ju tregoni një skenë tamam sikur të atyre filmave të Holivudit, por njëkohësisht shoh në fytyrën tuaj një dhimbje të madhe, keni vështirësi ta rrëfeni apo ç`po ndodh?
     I.Muzaqi: Është e vërtetë, një përkujtim i tillë është rrënqethës. Po njeriut i ndodh ta harrojë veten e të mendojë për shokun. Megjithëkëtë do ta rrëfej tërë historinë, atë histori të dhimbshme e mizore që është e shkruar me vuajtjet tona me gjakun tonë. Mund të filloj nga momenti kur na vendosën në makinat policore të ashtuquajturit pizgauer. Mbasi na futën në ato makina, na lidhën me pranga. Mua më lidhën bashkë me një atdhetar, me të nderuarin Avdi Latifi, tanimë i ndjerë.
     Këtë nuk e di a e bënë me qëllim, apo rastësisht, por mendja sot e asaj dite më thotë se ishte krejtësisht e paramenduar. Në atë automjet ku isha unë, bëheshim rreth 22 veta dhe qëndruam ashtu pa lëvizur 2 orë. Aty ku ishim dhe ashtu siç ishim nuk kishte as ajër të pastër, pra oksigjeni nuk ishte i mjaftueshëm, prandaj Avdi Latifi i mëshoi me këmbë dyerve. Pas një kohe të shkurtër e hapën derën egërsirat policore dhe për pak kohë e mbyllën, por për aq kohë të shkurtër na shanin pandërprerë. Më pas kuptuam se makina po lëvizte. Pas një rrugëtimi të gjatë, gjashtë orësh, kur ndaluam, kuptuam se ishim në Beograd. Në këtë kohë qëndrimi, policët e tërbuar na qëllonin me grushte dhe shkelma. Në orët e para të mëngjesit arritëm në burgun famëkeq të Gospiqit në Kroaci.
     Skenat ishin të tmerrshme, ndoshta nuk po e teproj, tani që po i tregoj, meqë edhe ju jeni këmbëngulës për ta zbuluar të vërtetën dhe tmerrin e të burgosurit. Ne zbritëm nga ato automjete policore si zogj të humbur në mjegull. U bëmë rreth 43 veta, por afërsisht gjysma mbetëm shkallëve, ndërsa gjysmën tjetër i detyruan të zhvishen lakuriq. Më vonë na çuan mua dhe Avdiun të lidhur deri tek grilat. Na çuan edhe për t`i parë shokët e zhveshur të cilët i rrihnin me shkelma, grusht e shufra gome. Kjo ngjarje ishte e tmerrshme, sepse ne e përjetonim shpirtërisht. Aty ishte edhe një burrë invalid i cili quhet Sadik Sadiku nga Ferizaji dhe të cilin nuk e kursyen aspak. Pas torturave që i ushtruan mbi shokët tanë, në radhë na futën edhe neve, por Avdiun e torturuan më shumë, sepse gardianët e kishin halë në sy, pasi që nipi i tij e kishte vrarë një serb nga fshati Repë i cili kishte qenë kadet ushtarak.
     Po fati ishte i çuditshëm, me Abdiun më futën në një qeli. Ne e dinim që një pjesë të jetës do ta kalonim aty, por gjithnjë na mbante shpresa se do të mbahemi të fortë. Avdiun vazhdonin ta torturonin mizorisht madje e linin edhe pa vetëdije. Në një moment me dhimbje të madhe në shpirt e pyeta se ç`po ndodhte ashtu dhe pse e torturonin kaq shumë.
   Ai ma ktheu me një buzëqeshje të shkrumbuar:
   - Më kanë halë në sy këta katilë.
   - Po këtë e kuptoj, se të gjithëve na kanë halë në sy, po ty janë duke të torturuar më shumë se ne të tjerëve, - i thashë atij
   - Po është e vërtetë. Ndoshta ke dëgjuar për vrasjen e një kadeti ushtarak serb të Repës?
   - Po! - ja ktheva.
   - Tafili, djali i vëllait tim, e ka vrarë atë serb dhe tash janë në një ofensivë hakmarrjeje dhe siç e shikon po më torturojnë sa shpirtin duan të ma marrin! Ç`është e vërteta të gjithë gardianët janë të informuar mirë për atë ngjarje.
     Ishte një kohë prej 12 ditësh që luftoja me vetveten, meqë mbi Avdiun ushtronin tortura të llahtarshme, ndërsa mua më lanë të shikoja me një qëllim të caktuar: vetëm e vetëm që të tmerrohesha sa më shumë dhe pastaj të merreshin edhe me mua. E shikoja dhe më vinte keq për të, ndërsa mendoja se ç`do të ndodhte me mua? Nga disa shenja më krijohej përshtypja se edhe mua do të më akuzonin si bashkëpunëtor i tyre.
     Edhe për mua si dhe për pjesën tjetër të të burgosurve do të fillonin torturat e llahtarshme. Mora vendim që të bëjë diçka që kjo dhunë të paktën të mos binte. Kërkova një bisedë me drejtorin e burgut për t`i treguar dhunën dhe tmerrin e llahtarshëm që ushtronin mbi neve. Pasi e informova drejtorin e burgut për të gjitha këto, filloi një fushatë tjetër torturash prej të cilave nuk përjashtohej as A.Latifi. Ai me një urrejtje të madhe, drejtorit të burgut ia hedhte barnat duke i thënë: “- Pse mi sillni barnat, kur ju ushtroni dhunë mbi ne si bisha”.
 
     Pyetja: I nderuar Ilmi ju tashmë në burgun famëkeq të Gospiqit, përjetuat atë që ne mund ta shohim vetëm nëpër filma. Sipas disa shokëve, kemi të dhëna se ju keni qenë një shtyllë mbrojtëse e të burgosurve, edhe pse ju keni bërë si individ. Ju gjithnjë keni ngritur zërin ndaj dhunës. A mund të na veçoni një ngjarje prej gjithë atyre ndodhive të tmerrshme? Pastaj a mund të rrëfeni se ç`ndodhi me grupin e dytë në pranverën e vitit 1982 kur i arrestuan? Si u takuat me zëvendëssekretarin e jurisprudencës kroate?
     I.Muzaqi: Diku në pranverë të vitit 1982 u sollën edhe një grup të rinjsh nga Kosova në burgun e Gospiqit, po me të njëjtat akuza si edhe grupin e parë në pranverë të vitit 1981. Njësoj i torturonin siç na kishin torturuar edhe neve. Ne e dinim mirë se ç`përjetonin ata të rinj. Gjëma dhe britma e tyre edhe të vdekurit i ngrinte në këmbë. Nuk mund të duroja më. Vendosëm bashkë me Bislim Bajramin, Nazmi Shaqirin të ju dilnim në mbrojtje të rinjve shqiptarë, duke llogaritur çfarëdo çmimi që do ta paguanim. Ne e dinim se do të na vërsuleshin neve, por ne ishim mësuar me dhunën e egër, prandaj edhe nuk frikësoheshim. Unë e kam thirrur gardianin. Pasi ai erdhi, menjëherë kërkova takim me drejtorin e burgut. Çuditërisht drejtori i burgut erdhi menjëherë. Sa erdhi dhe drejtori i kam kërkuar të vijë dikush nga jurisprudenca kroate me qëllim që të bisedoj me ne dhe për së afërmi të njihet me informacionet për dhunën e temershme që po ushtrohej ndaj të rinjve shqiptarë, ose në të kundërtën i thamë atij se do të hidheshim në grevë urie. Natyrisht ne ishim shumë të vendosur të bënim në grevë urie.
     Me t`i dëgjuar këto fjalë, drejtori më tha se do ta thërriste dikë nga jurisprudenca, por më porositi të mos i tregoja të vërtetën personit që do të vinte për të na vizituar, sepse po qe se do t`i tregoja të gjitha ato ngjarje të llahtarshme do të pësonim edhe më keq. Por ne nuk kishim ç`të humbnim. Ne vetëm mund të fitonim diçka. Dhuna kundër nesh mund të na pakësohej. Çuditërisht sekretari nga jurisprudenca kroate erdhi. Vizita filloi nga dhoma e fundit dhe jo nga dhoma ime. Sapo erdhi në dhomën time ju drejtova sekretarit:“- Këtu janë duke ndodhur krime të tmerrshme. Janë duke i torturuar të rinjtë mizorisht. Ai i habitur më tha se këto nuk kishte dëgjuar nga asnjëri prej të burgosurve.” ´Unë ia ktheva: - Ju keni të drejtë që habiteni, ngase asnjëri prej të burgosurve nuk ka guxuar ta thotë të vërtetën, për arsye se gardianët atyre jua kanë futur frikën deri në palcë, duke i torturuar mizorisht. Si dëshmi ju mund t`i shikoni edhe muret me gjakun e rinjve shqiptarë. Këto ia thashë në praninë e dy shokëve të mi: Bislim Bajramit dhe Nazmi Shaqirit, me të cilët bashkëvuaja në qeli. Në këtë rast ndodheshin edhe drejtori i burgut dhe gardianët. Pas këtij rasti vërtet dhuna kundër të nesh u pakësua.
 
     Pyetja: Sipas kësaj që e thoni, ju e me një guxim të madh morët një vendim të tillë. A u përballët me vështirësi mendimesh, pasi ju keni qenë të vetëdijshëm se kundër juve mund të ushtrohej dhunë e egër fashiste, një tmerr i vërtetë?
     I.Muzaqi: Mua më shtynin shumë egërsi që i shfaqnin e fyrje që i bënin gardianët kundër neve. Veç dhunës ata edhe na shanin shumë keq moralisht e kundër familjeve tona. S`linin gati asnjë pjesë të trupit tonë pa na e sharë. Më së vështiri na dukej kur mundoheshin të na shtynin për të kënduar për Titon. Pas gjithë asaj katrahure mizore gardianët i detyronin të rinjtë të përshëndesnin dhe me ca fjalë serbe: “mirno, pozdrav, pravo” etj, që po t`i përkthejmë në gjuhën tonë kanë kuptimin afërsisht: gatitu, përshëndetje (për t`i përshëndetur gardianët,), drejt rri drejt. Këso gjërash e fyerjesh i bënin sidomos kundër atyre të rinjve që fare nuk e dinin gjuhën. Kur ndodhte që ndonjëri të mos i shqiptonte mirë ato fjalë, ndaj tyre ushtronin një dhunë të tmerrshme. Qëllimi kryesor ishte që t’ua bëjmë me dije organeve të jurisprudencës kroate se atje po ushtrohej një dhunë barbare nga gardianët, me urdhrin e drejtorit të burgut, apo edhe të shefit të UDB-ës. Ne ishim të përqendruar në kërkesën tonë që të ndalet dhuna, ose përndryshe ne do të hidheshim në grevë urie. Çuditërisht kjo dhunë pjesërisht u ndërpre dhe nuk ishte i atyre përmasave të tmerrshme.
     Është një karakteristikë e veçantë, ndoshta për lexuesin do të ishte e pabesueshme, por është një realitet që ka ndodhur, kur ishim të detyruar të hanim rrepa (rrepa të bardhë) që na dukej se ishin helm, ata kishin një shije aq të keqe sa shpesh herë nuk arrinim t`i kapërdinim. Kur nuk i hanim dot na torturonin mizorisht. Për këto më së miri dëshmojnë të burgosurit që kanë vuajtur nëpër ato burgje. Por si e veçanta që do të më ngelet mua dhe të gjithë të burgosurve është tërheqja e batanies nëpër korridorin e gjatë më se 30 metra, me një peshë afërsisht 90 ose 100 kilogram (pas kësaj që na tha Ilmi Muzaqi qeshi).
 
     Pyetja: I nderuari Muzaqi kjo qeshje e juaj disi na shton akoma më shumë kureshtjen.
     I.Muzaqi:Është në fakt një histori e dhimbshme po edhe e çuditshme, e cila edhe mund të na marrë kohë, por me pak fjalë po mundohem t’ jua përshkruaj: të burgosurit që dënonin për ndonjë gabim që e bënin aty si “shpërblim” i detyronin tërë natën ta tërhiqnin atë batanie, mbi të cilën e vendosnin një njeri, më të rëndin, për ta tërhequr. Mbase është interesante të them se mua dhe A. L gati gjithnjë na ka qëlluar njeriu më i rëndë. Ndodhte gati tërë natën duhej ta tërhiqnim, po ajo më e vështira mbase ishte, kur korridorit pas shumë lëvizjeve i hidhnin edhe ujë. Pas përfundimit të kësaj dhune ishim të detyruar t’i nënshtrohemi dhunës tjetër, ja ky ishte fati i një të burgosuri.
 
     Pyetja: Po a keni pasur frikë së në emër të rendit ndokush nga të burgosurit mund të ekzekutohet me prapavijë, siç ka ndodhur të vriten nëpër burgje serbe shqiptarët?
     I.Muzaqi: Po, unë mund t`ju them se pikërisht në atë burg është përgatitur edhe një skenar për eliminimin fizik të të burgosurve shqiptarë, nëpërmes shkaktimit gjoja të një ekscesi. Një natë vonë aty rreth orës një i ka dalë flaka një pjese të burgut. Kjo ishte një kurdisje për të na zhdukur, por fati deshi që përpos gëlltitjes së tymit të mos pësonim më shumë. Po, pas këtyre skenave (më 1982 ) na transferuan për në Lepogllavë, mua me Beslim Bajramin, Adem Salihun, Avdi Limanin; Avdi Latifin, Afrim Morinën e Bedri Deliun,e shumë të tjerë.
 
      Pyetja: Mund të ju rikujtohet diçka e veçantë që ja vlen të na thoni?
      I.Muzaqi: Ndodhitë janë të shumta siç ju ka ndodhur edhe shumë të burgosurve të tjerë. Por një rast më ka ngelur fare i qartë, prandaj po jua them: Ishte një emision për jetën e Titos, që e transmetonte televizioni i Zagrebit. Unë dhe Halit Osmani nuk e ndoqëm fare. Dikush na kishte spiunuar, prandaj kriminelët serbë na torturuan mizorisht derisa edhe na alivanosën. Pas kësaj torture që na bënë unë në mëngjes ju drejtova shokëve me këto fjalë: - Unë do të hidhem në grevë. Greva filloi të nesërmen. Një pjesë e të burgosurve mu bashkangjitën. Greva zgjati gati 12 ditë. Pasi ne nuk e ndërpremë grevën mua me një grup të shokëve na dërguan në burg hetues të Zagrebit. Edhe atje grevën nuk e ndërpremë deri në një marrëveshje me shokët. Pas kësaj ndërprerje na transferuan në Stara Gratishk, ku atje patëm rastin ta gjejmë njeriun e ndërgjegjes kombëtare dhe shumë të respektuarin bacën Adem, të ndjerin Ramadan Shalën, më vonë edhe Fehmi Lladrovcin. Fati im dhe i të gjithë atyre të tjerëve aty ishte i madh sepse kishim një mësues të vërtetë: bacën Adem. Baca Adem për ne ishte shpëtimtar, këshillat e tija ishin qëndresë dhe guxim për ne.
 
     Pyetja: Meqë jemi te baca Adem dhe te Fehmi LLadrovci, a mund të na thoni diçka për ta?
     I.Muzaqi: Kam shumë për të thënë për këta dy burra. Jam i sigurt se po të flasësh për Bacë Ademin dhe Fehmi Lladrofcin duhet shumë kohë, por unë do të përpiqem të them ato më kryesoret meqë tani jam duke dhënë intervistë e natyrisht intervista nuk është e përmasave të librit. Baca Adem për ne ka qenë një udhërrëfyes, njeri i përkushtuar, i cili asnjëherë nuk u ligështua, njeri që me qëndrimin e tij neve na ka trimëruar, ai me aftësitë e tij të veçanta na frymëzonte që ne ta kuptonim për ç` arsye jemi në burg. Bindjet e tij atdhetare neve na i ka ngulitur dhe na ka forcuar me kurajo për të qëndruar stoik e të papërkulshëm, të mos gabonim për asnjë çast. Ai ishte një mësues i madh për të burgosurit dhe lirisht mundëm të them se ishte në këtë fatkeqësi një fat i madh që qemë me A. Demaçin në burg.
      Krahas këtij burri të kombit kam pasur nderin të kisha edhe një shok të mirë, një burrë të vendosur të Drenicës: Fehmi Lladrovcin. Te ky burrë kam parë shpirtin e një mishërimi të harmonishëm. Ai kishte edhe humor kur e donte puna. Mbante një qëndrim të prerë e të drejtë, ishte stoik e i papërkulshëm, gjithnjë tek ai shquhej krenaria e shqiptarit, krenaria e patriotit e atdhetarit të devotshëm. Tek ai shquhej shpirtmadhësia dhe gatishmëria për sakrifica, shquhej përkushtimi i tij atdhetar, për ribashkimin e jetësimin e Shqipërisë të Natyrshme. Në ballin e tij në fytyrën e tij kemi lexuar heroizmin e shqiptarit si vazhdimësi në shekuj. Ai ka qenë shembulli më i mirë që ne të mos ligështoheshim për asnjë çast. Bacë Adem Demaçi dhe Heroi i Kombit Fehmi Lladrofci kanë qenë të veçantë, por në këtë mes s`duhet harruar edhe shokët tjerë si Ramadan Shalën, sepse të gjithë së bashku ishin dëshmi se si duhet të qëndrojë shqiptari edhe në burg. Këta kanë luajtur një rol të rëndësishmin për ne sepse ishin në shërbim të edukimit tonë, të qëndrimit tonë. Pra ishin mësuesit tanë më të mirë. Këta, aq herë sa patën mundësi, sado edhe të vogla, i shfrytëzonin për na mësuar e formuar për përgatitur sa më mirë me qëllim që sapo të dalim nga burgu të mos heshtnim, por ta vazhdonim luftën për të jetësuar e idealet atdhetare. Natyrisht kjo punë e tyre u kurorëzua me sukses, sepse gati të gjithë kemi vazhduar pa hezituar fare rrugën e atdhetarizmit.
 
     Pyetja: I nderuari Muzaqi pasi dolët nga burgu ju si dhe në ç`mënyrë keni vepruar?
     I.MUzaqi: Fillimisht pasi dola nga burgu më, 08.04.1989 Kosovën e gjeta thuajse ashtu siç e kisha lënë në zjarr, madje diku - diku mund të them edhe më keq. Por demonstratat në tërë Kosovën kishin marrë hovë, prandaj ne jo vetëm ishim të ngrohur shpirtërisht, por edhe rrugën e gjetëm të gatshme, ndaj pa u hamendur u futa në të. Më vonë u inkuadrova në KMLDNJ me iniciativën e Bacës Adem, por në anën tjetër me shumë shokë tjerë formuam Këshillin e LPK-ës, si me Ramadan Pllanën, Islam Mulakun, Avdullah Zhegroven, Shefqet Dibranin etj.
      Pas formimit të këtij këshilli të LPK-ës ne ecnim e vepronim për të jetësuar idealet tona gjithëshqiptare për Shqipërinë Etnike, po duke mos lënë anash aksionin e madh gjithëkombëtar, pajtimin e gjaqeve. Natyrisht ne ishim të vendosur që as një hap të mos pushonim dhe për fat të mirë ky aksion pati jehonë dhe sukses të madh. Po me këtë sukses vazhdoi edhe LPK-ja që ishte një promotor për formimin e një Ushtrie. Kështu duke u bashkuar veprimtaria atdhetare shqiptrae si një zinxhir i pashkëputur u formua edhe UÇK’ja.
 
     Pyetja: Po ju pas gjithë kësaj pune, a ishit në shënjestër të policisë dhe a mendonit se me ju nuk do të merrej policia?
     I.Muzaqi: Ne kemi qenë të vetëdijshëm se kriminelët serbë ose edhe të tjerë përpiqeshin të na zbulonin, prandaj ishim të shtrënguar të punonim në ilegalitet të thellë, megjithëkëtë na lehtësohej puna meqë vepronim KMLDNJ dhe aty takoheshim pa pasur drojë. Po për fat të keq më 1993 pushtuesit e atëhershëm serbë filluan aksionin për të burgosur sa më shumë veprimtarë shqiptarë, prandaj na i burgosën shumë shokë, ndërsa unë me ca shokë patëm fatin t’i shpëtojmë këtij arrestimi dhe në pamundësi për të qëndruar në Kosovë u detyruam ta lëshojmë Atdheun. Sipas një aktvendimi të lëshuar më 27.10.1993 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë na kërkonin për të na burgosur. Aktakuza ishte sajuar në lidhje me nenin 45.st.2 neni 3 të ligjit, nga Prokurori Jovica Jovanoviq.
 
     Pyetja: Ju u detyruat të ikni?
     I.Muzaqi: Po, ika natyrisht pa vullnetin tim, meqë e dija se burgu nuk është zgjidhje. Unë dhe shumë shokë, në mesin e të cilëve ishe edhe ti, nuk patëm mundësi të vazhdonim veprimtarinë në Kosovë, pasi në çdo hap ishim të rrezikuar për të na burgosur pushtuesit serbë, prandaj vendosëm të iknim për të mos e lënë veprimtarinë atdhetare përgjysmë. Ne morëm botën në sy dhe u vendosëm në Gjermani, atje sapo u vendosa nën një strehë, u futa në radhët e organizatës sonë që vepronte jashtë, në LPK, ku pata rastin edhe atje të takohem e të veproj bashkë me shokun tim të dashur Fehmi Lladrovcin dhe me të vazhduam aktivitetin gjersa ai mori rrugën e kthimit për në Kosovë, ku edhe doli në ballë të luftës çlirimtare. Unë ende mbeta me një grup shokësh si me Mustafë Krasniqin, Zymert Gashin dhe me Hotin, Lajçin, Currin etj. Natyrisht ne vepronim në Fondin “Vendlindja thërret”, që drejtpërsëdrejti i vinte në ndihmë UÇK -ës
 
     Pyetja: Çka mund të na thoni për Fehmiun?
     I.Muzaqi: Fehmiu ishte një shok i afërt, një njeri i ngritur, i thjeshtë, i dashur me të gjithë, një burrë me një krenari që ma kujton burrërinë e shqiptarit në shekuj, i zjarrtë e shpirtërisht i mrekullueshëm, i ëmbël sidomos kur i shqiptonte fjalët: atdhe, liri, burrëri. Me thënë të drejtën vizionin e Fehmiut nuk e kemi kuptuar me kohë, ky ishte një strateg i mirë, sepse ky fillet e para për formimin e njësive të para ushtarake i kishte realizuar në Gospiq, ndoshta mu në atë vendin ku shqiptarët janë torturuar dhe burgosur si mos më keq. Fehmiu mu aty e themeloi formacionin e parë ushtarak me qëllim që të ishin të përgatitur për luftën në Kosovë. Ai vazhdimisht thoshte se lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, prandaj duhej të përgatiteshim dhe pikërisht për këtë arsye në çdo kuvend thoshte, se ne duhet t’i prijmë luftës që ajo të mos vijë për të na gjetur të papërgatitur. Te ky njeri kemi gjetur vetëm shpresë, prandaj me të vetëm gjumi na ndante. Unë kam shumë kujtime që ende më kanë mbetur të freskëta me shokun tim të dashur Fehmi Lladrofci, por kryesorja e mbi të gjitha ka qenë porosia e tij e madhe që lufta të mos ndalet derisa të çlirohet i çdo cep i Shqipërisë Etnike.
     Fehmiu jo vetëm që ka ditur shumë për luftën, por edhe për artin e saj ka qenë arkitekt. Pas rënies së Jasharëve, Fehmiun nuk ka pasur mundësi as topi ta e ndalte, në rrugën drejt luftës heroike të UÇK-ës, në ballë të së cilës shfaqi madhështinë prej heroi të vërtetë. Herën e parë atë e plagosën, por ai me atë zjarrin e madh në shpirtin tij atdhetar, u shërua dhe vajti përsëri në luftë. Ai u flijua në altarin e atdheut për të mos vdekur kurrë.
Kujtoja shumë çka, por diçka që më ka lënë mbresa të veçanta është madhështia e tij e shfaqur nëpërmjet një telefonate që i bëra një natë para se binte heroikisht: - Ilmi, - më tha, - liria po vjen, nuk ka rëndësi me mua apo pa mua, ajo do të vijë. Krahas Fehmiut ka qenë edhe burrëresha motra Xhevë, vërtet një Shote Galicë e dytë, e cila ra heroikisht në themelet e Shqipërisë së Natyrshme.
 
     Pyetja: Shohë në sy tu se keni një mallëngjim?
     I.Muzaqi: E si mund të flas njeriu i qetë kur kujton heronj të tillë?! Është një mall i madh kur flet njeriu për shokët e idealit, për ata që u flijuan në themelet e Atdheut. Me Fhmiun më lidhin shumë kujtime e përjetime. Ai është hero, sepse ai ra për t`i dhënë jetë Atdheut nga jeta e tij.
 
     Pyetja: Ju me një bagazh aq të madh të veprimtarisë çka mendoni për Pavarësinë e Kosovës dhe simbolet e saja?
     I.Muzaqi: Unë kam qenë përkrahës dhe mbetëm përkrahës i pavarësisë, por dorën në zemër pavarësinë e kam kuptuar dhe e kuptoj në përbërje të Shqipërisë Etnike. Në qoftë se nuk vazhdohet rruga për jetësimin e saj, jam thellësisht i bindur se shkelet vullneti dhe gjaku i heronjve dhe vlera e luftës së shenjtë të kombit tonë, por unë kam besim në forcat e popullit shqiptar për të jetësuar ribashkimin e Atdheut. Flamuri ynë është flamuri i shqiptar, flamuri i Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit, Fehmi Lladrofcit, flamuri i Shqipërisë, ai që na emocionon dhe na jep shpresë, ai që dëshmon se Kosova dhe viset të tjera shqiptare si nën Maqedoninë si nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë janë pjesë të përbashkëta të Shqipërisë e që së bashku me Republikën e Shqipërisë përbëjnë tërësinë e Shqipërisë së Natyrshme. S`ka dhe s`mund të ketë flamur tjetër për shqiptarët e bijtë e shqiptarëve.
 
     Pyetja: Do të thotë se zhvillimet politike në Kosovë nuk janë në rrugën e duhur, se ka vend për moskënaqësi?
     I.Muzaqi: Duhet të jetë për të tërë e qartë ajo që e thashë edhe më parë për heroin Fehmi Lladrofci, për Xhevën dhe për bijtë e bijat më të mirë të popullit shqiptar siç është heroi tjetër, burri kreshnik i Drenicës martire Adem Jashari, kreshniku e heroi tjetër i Gallapit - Zahir Pajaziti, heroi i Malësisë së Gjakovës, burri vigan i Tropojës - Tahir Sinani e shumë e shumë të tjerë të cilët ranë heroikisht për t` i dhënë jetë nga jeta e tyre Shqipërisë Etike e të Natyrshme. Për jetësimin e saj kemi vepruar e do të veprojmë derisa të realizohet edhe në kuptimin e njohjes ndërkombëtare. Po të kem jetë edhe kaq sa kam jetuar do t`ia falja të tëra vitet Atdheut, Shqipërisë sonë Etnike.
 
     Pyetja: Për fund çka do të na thoni?
     I.Muzaqi:Kam shumë për të thënë, por nuk dua ta lodhi lexuesin tuaj, besoj se kjo do të mjaftojë që ata ta kuptojnë dhimbjen e një të burgosuri, prandaj për këtë ju falënderoj juve dhe besoj se është një rrugë e mirë që të intervistoni sa më shumë njerëz që kanë vuajtur nëpër burgjet jugosllave, sepse njohë shumë burra e burrëresha që janë lënë pas dore, e besoi se një përkujdesje sa do e vogël për ta është nder, sepse ata e nderuan edhe Atdheun edhe kombin, por edhe brezat e ardhshëm. Mbi të gjitha porosia e ime është e do të jetë: të bëjmë gjithçka qoftë edhe të pamundurën ta bëjmë të mundshme për ta ribashkuar Shqipërinë Etnike e të Natyrshme.
 
( Shkruajnë: Mustafë Krasniqi e Isuf Ismaili - 24. 03. 2009 )
 
 
powered by Beepworld