. Nëpërmjet artit të reagimit

 

BISEDOVA ME PROF.AGIM VINCËN

Shkruan: Gjokë Dabaj - Durrës, 18. 02. 2012

 

 .

 

 

Nuk merrem me reagime e kundërreagime

 

ATDHEU S’ËSHTË RRASË

PËR “CIC-MIC E HÂNË”

 

     Nuk kam ndërmend të merrem me reagime e kundërreagime të kategorisë që s’na çojnë atje ku duhet. As me heqje a vënie thonjëzash te fjala patriot. Qëndrimi im është: Shqiptarët nuk duhet të lëshojnë asnjë metër katror, tokë apo det, nga sipërfaqet që tashmë përfshihen brenda kufijvet ekzistues të 2 shtetevet tanë. Me asnjë lloj shkëmbimi! Pikë! Këtu unë e mbyll çdo diskutim për këtë problem. Për gjëra të tjera mund të flasim.

Durrës, 16 shkurt 2012

____________________________________________________________________________

 

( Si reagim ndaj reagimit të Shpëtim Golemit )

 

Në fokus të pashtriku.org

 

Ku ishim?!

 

Ku jemi?!

Kah duhet të shkojmë?!

- Lexoni -

 

 

 

( Përgatiti moderatori i pashtriku.org, 16. 02. 2012 )

 

Çka po flet kështu akademik?!

 

A PRANON PRESHEVA

TA JAPË MITROVICËN?

    

     Më vjen keq! Më vjen shumë keq për fjalët që tha Rexhepi. Mitrovica nuk duhet lëshuar! As Mitrovica, as Shkupi! Sllavët, në daçin të jetojnë me ne, le të rrinë! Të drejtat do t’i kenë, siç i kanë të gjitha pakicat në shtetet më demokratikë të botës. Në mos daçin, le të shkojnë nga kanë ardhur. Ne s’i kemi thirrur… Njëherë e mirë duhet ta kuptojmë që, po ia dhamë Sërbisë me dorën tonë Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviqin, Sërbia jo vetëm s’do të na i kthejë Preshevën, Bujanovcin e Medvegjen, por do të sulen për të marrë edhe Gjilanin.

 

 

 

     Sapo e pashë intervistën e akademik Rexhep Qoses, dhënë Agjencisë Informative Kombëtare “Presheva Jonë”, pyetja që më bubulloi në kokë, ishte kjo: “A pranon Presheva ta japë Mitrovicën, qoftë edhe kundrejt një të atillë shpërblimi siç është liria vetjake?!” Mitrovica është pjesë e Republikës së Kosovës si edhe Presheva. Pra, në kuptimin tërësor të nocionit gjeografik, edhe Presheva, edhe Mitrovica, janë pjesë të Shqipërisë. O Zot! A duhej të pranonte Shestani, që është i okupuar prej Malit të Zi qysh në vjeshtën e vitit 1877, t’ia jepte Republika e Shqipërisë Malit të Zi Vrakën në këmbim të Shestanit? A mund të themi për vrakaçorët se janë të okupuar prej Republikës së Shqipërisë? As disa banorë të Dropullit, të ardhur aty para më se 200 vjetësh nga Greqia, nuk duan të rrojnë “nën sundimin” e Republikës së Shqipërisë. Por, a do të mund t’ia jepnim Dropullin Greqisë në këmbim të Filatit? Dropulli është gjeografikisht brenda Shqipërisë, ashtu si edhe Mitrovica. Sami Frashëri thotë kështu për kazanë e Mitrovicës: “Popullsia është e përbërë nga boshnjakë dhe shqiptarë.” (Kamus Ul-Alam, VI, f.4149) Të kish pasur sërbë ortodoksë në atë kaza, Samiu do ta kish thënë, siç e ka thënë për ta atje ku ka pasur. Pra, sërbët ortodoksë në Mitrovicë kanë ardhur mbas shekullit XIX.

     Akademik Rexhep Qosja është njeriu të cilin pjesa e kthjellët e shqiptarëvet e ka dashur dhe e ka respektuar shumë. Nuk e ka dashur dhe respektuar kot, por e ka dashur dhe e ka respektuar për punët e mira që ai ka bërë në të mirë të Kombit të vet dhe për fjalët me vend që ai ka thënë në mbrojtje të Kombit të vet. E gjithë vepra e tij 30-vëllimëshe e dëshmon sa i ka shërbyer Kombit të vet ky studiues i yni nga më të shquarit. Drita e Rilindjes sonë Kombëtare ndriçoi shumëfish më fuqishëm nëpërmjet penës së akademik Rexhepit. Asdreni u bë edhe më i madh nga ç’ishte me penën e akademik Rexhepit. Akademik Rexhep Qosja foli ashtu si, ndoshta, askush nuk mund të fliste në “Francuska 7”, në folenë e grerëzavet dhe të hijenavet.

 

Vetëvrasja e akademik Rexhep Qosjes!

_________________________________________________________________________________________

 

     Po tash çka po ndodh?! A duhet ta përmbysim imazhin që kemi?!

    Varri i Jakup Ferit mbeti atje. Edhe shtëpia e akademik Rexhepit atje ka mbetur. Ashtu si imja. Nesër mund t’ia ndalojnë pushtetmbajtësit sllavë të atjeshëm akademik Rexhep Qoses edhe shtëpinë ku ka lindur. Mund t’i kërkojnë vizë. Mund t’i dalë policia përpara dhe t’i thotë: “Kthehu nga ke ardhur!” Nëmos atij, nipavet të tij. Tash, a ta lëmë edhe varrin e Isa Boletinit andej? T’i lëmë pa të drejtë për t’u kthyer në vendin e të parëvet, edhe mijëra familjet tona (thuhet 12000) të dëbuara vetëm vitevet të fundit?! Ta lëmë atje edhe mineralin, që nëntoka s’e ka ruajtur për të huajin, por e ka ruajtur për vendësin. (Nuk duhet të harrojmë që Stefan Nemanja, në shekullin XII, i pushtoi në fillim minierat e ish-Dardanisë, u vesh në ar e argjend prej atyre minierave, pastaj u ra tokavet të tjera më në jug.) Çka po flet kështu njeriu, artikujt e të cilit i kemi pritur dhe lexuar me dëshirë të madhe vite me radhë?!

     Ne e duam Preshevën njëlloj si Gusinë dhe si Negovanin. I duam anamoravasit siç i duam ulqinakët dhe prevezarët. Fatkeqësia është e madhe për të gjitha tokat dhe për të gjithë banorët që na kanë mbetur jashtë 2 shtetevet që, fatmirësisht, më në fund mezi arritëm t’i kemi. A na lejohet tani t’u nënshtrohemi lojëravet të mjegullta konjukturore me gjoja shkëmbime, por në fakt me lëvzje kufijsh që s’dihet se ku mund të përfundojnë? U dashka t’ia lëshojmë Mitrovicën, apo edhe Leposaviqin, se paskan ardhur aty një tufë sërbësh, para 7 vjetësh, ose edhe para 7 shekujsh, pa paramenduar që nesër e pasnesër, në kushtet e një “federate” panevropiane, po aq sërbë (Edhe rusë me pasaporta sërbe!) mund të vijnë në Shëngjin, në Durrës e në Vlorë! Shkoni shihni si janë palosur sipër njëri-tjetrit të tillët në bregun midis Tivarit e Ulqinit! Në këmbim të cilit qytet do t’ia japim Durrësin Sërbisë, pasi aty të kenë penetruar nja 5000 familje sllave?!

     Më vjen keq! Më vjen shumë keq për fjalët që tha Rexhepi. Mitrovica nuk duhet lëshuar! As Mitrovica, as Shkupi! Sllavët, në daçin të jetojnë me ne, le të rrinë! Të drejtat do t’i kenë, siç i kanë të gjitha pakicat në shtetet më demokratikë të botës. Në mos daçin, le të shkojnë nga kanë ardhur. Ne s’i kemi thirrur. Ndërkaq, në vend që të pranojmë aventura a la Busek, duhet të kërkojmë me këmbëngulje që edhe bashkëkombasvet tanë në shtetin sërb t’u jepen po ato të drejta që ne u japim sllavëvet në 2 shtetet tanë. T’i kërkojmë këto gjëra, t’i realizojmë të drejtat e tyre me të gjitha mënyrat dhe të presim kohën, jo për t’u dhënë fqinjëvet ç’nuk u takon, por për të rikthyer ç’na është marrë. Njëherë e mirë duhet ta kuptojmë që, po ia dhamë Sërbisë me dorën tonë Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviqin, Sërbia jo vetëm s’do të na i kthejë Preshevën, Bujanovcin e Medvegjen (Ata nuk e lëshojnë atë luginë, se kanë rrugëkalimet andej.), por do të sulen për të marrë edhe Gjilanin. Nuk i kanë shtuar kot garnizonet ushtarakë Tadiqët në atë pjesë të Kosovës Lindore, në një kohë kur ne na u sharruan edhe ata 5 mitralozë, që i patëm blerë me paret e refugjatëvet.

     Do të ishte ndoshta rasti i parë që shqiptarët u dorëzojnë pushtuesvet territore me miratimin e vet. Të gjitha herët e tjera pushtuesit na i kanë marrë tokat, duke i shtruar me kufoma shqiptarësh ato toka, dhe ua kanë miratuar të huajtë, por ne vetë nuk i kemi miratuar kurrë të tillë aneksime, Gjeografikisht ato toka kanë mbetur dhe janë sot e përgjithmonë pjesë të Shqipërisë Lindore, pjesë të Shqipërisë Veriore, pjesë të Shqipërisë Veriperendimore, pjesë të Shqipërisë Jugore dhe pjesë të Shqipërisë Juglindore. Duhet njëherë e mirë ta kuptojmë që: Janë koncepti TOKË dhe BANOR TRADICIONAL I ASAJ TOKE ata që e përcaktojnë EMRIN E NJË VENDI e jo koncepti SHTET dhe BANOR I ARDHUR. Në Afrikën e Jugut mund të kenë jetuar e mund të jetojnë më shumë anglezë se ç’jetojnë sërbë në krejt trevat e Shqipërisë, nga Vraka deri në Kurshumli, por Afrika Jugore kurrë nuk është quajtur Angli dhe Mandela apo dikush tjetër kurrë nuk ka thënë: “Meqë anglezët nuk po duan të jetojnë me ne, le ta marrë Anglia Johanesburgun!”. Paralelizma të tillë mund të bëjmë me dhjetëra.

 

 

     Në faqen 4 të gazetës “Metropol” lexova këto fjalë të profesor Rexhepit: “(Sërbët në Veri) nuk po duan të jetojnë me Kosovën…Ne do të mundësojmë që Veriun ta marrë Sërbia…Duhet t’u mundësojmë njerëzve që të jetojnë të lirë…Ndryshe s’ka si quhet pos si sundim.” Më erdhi shumë keq. Nuk kam dashur kurrë të polemizoj me profesor Rexhep Qosen. Kam pritur të takohem një ditë me të si mik e adhurues i tiji. Për çfarë SUNDIMI mund të bëhet fjalë, nëse shteti bullgar u kërkon turqvet të shtetit të vet taksa dhe rregull si gjithë shtetasvet të tjerë?! S’po dua të zgjatem. Dhe, besoj, s’ka nevojë të zgjatemi. Para pak ditësh pata shfaqur mendimin që lipset sqaruar lidhur me këto gjëra z.Ehard Busek dhe në fund pata shtuar: “Por duhet edhe vetëvetes t’ia themi me forcë. T’ia themi vetëvetes shumëfish më me forcë se zotit Busek.  Për fat të keq, më doli që paskam pasur të drejtë më shumë se ç’mund ta parashikoja!

Durrës, 13 shkurt 2012

 

___________________________________________________________

 

( Fotoilustrimet i përgatiti moderatori i pashtriku.org)

 

 

 

Si po trajtohen Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu nga qeveritë tona?!

 

PËR FLAMURIN,

MË PUSHKATOFSHIN!

 

     Në Republikën e Shqipërisë po dënohet e stigmatizohet Kreshnik Spahiu. Në Republikën e Kosovës ka vite që po dënohet e po stigmatizohet Albin Kurti… Nëse Albin Kurti e Kreshnik Spahiu s’kanë bërë shkelje të tjera, përveç atyre që i dimë ne, dëgjuesit, shikuesit dhe lexuesit e përditshëm të mediavet, ata nuk meritojnë të ndëshkohen. Përkundrazi, ata meritojnë të respektohen, madje të dekorohen pikërisht prej atyre organeve (thënë më saktë, personave), shtetërorë që po i ndëshkojnë…

 

 

 

     Në Shqipëri, në kuptimin tërësor të sajin, po ndodhin gjëra të çuditshme. Po dënohen njerëz që, të paktën në aparencë, për aq sa di opinioni, adhurojnë Flamurin Shqiptar. Një çudi e tillë po ndodh në të 2 shtetet, shqiptarë, jo sërbë apo grekë. Në Republikën e Shqipërisë po dënohet e stigmatizohet Kreshnik Spahiu. Në Republikën e Kosovës ka vite që po dënohet e po stigmatizohet Albin Kurti.

     Unë nuk e di, dhe besoj që shumë shqiptarë nuk e dinë, çfarë mund të fshihet realisht prapa veprimtarisë legale të këtyre 2 njerëzve. Mirëpo, dora në zemër, a mund ta dijë dikush me siguri të plotë se çfarë fshihet prapa veprimtarisë legale të secilit prej nesh? A mund të dimë, ne të thjeshtët, me siguri 100%, që edhe një president a një kryeministër nuk mund të gatuajë diçka në fshehtësi kundër shqiptarëvet? Mirëpo, askush nuk ka të drejtë të lëshohet mbi kurrizin e tjetrit me hamendje ose prej ndonjë mllefi thjeshtë personalo - klanor. Nëse dikush di diçka, ai duhet ta thotë, në mënyrë që ta marrin vesh të gjithë.

     Kur shohim se si po trajtohen Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu nga të 2 qeveritë tona, mendja na shkon që këta 2 njerëz duhet të kenë bërë dhe të jenë duke bërë diçka të hatashme kundër Shqipërisë. Duhet të kenë bërë diçka të hatashme dhe duhet të jenë tepër të rrezikshëm, sepse, të dalësh edhe të tundësh Flamurin e Kombit përpara shqiptarëvet, me hile, e pakta që duhej bërë me të tillë delenxhinj, është, jo të arrestohen e prapë të lirohen, por të kapen edhe të dënohen sa më rëndë të jetë e mundur. Si guxoka ai tjetri t’i mbushë sheshet me Flamuj Kuq e Zi, të marrë edhe emrin e ngjyravet të këtij Flamuri, e, në anë tjetër, t’ia ketë me të pabesë Kombit që idealet e vet i ka lidhur, të paktën prej 569 vjetësh, me këtë Flamur?!

 

Kreshnik Spahiu

 

     Në krahun tjetër, nëse unë si pjesë e Kombit tim, nuk dua të jem i verbër apo i mangët mendërisht, duhet të shtroj edhe pyetjen e anasjelltë: Po sikur këta 2 shqiptarë që po anatemohen e sulmohen në këtë mënyrë nga të 2 qeveritë tona, të mos jenë të atillë tinzarë, faqezinj e vetëfundosës, siç po i paraqesin qeveritarët përkatës, ç’duhet të mendojë Kombi ynë për këta qeveritarë?!

     Tash, prapë dora në zemër:

     Nëse Albin Kurti e Kreshnik Spahiu s’kanë bërë shkelje të tjera, përveç atyre që i dimë ne, dëgjuesit, shikuesit dhe lexuesit e përditshëm të mediavet, ata nuk meritojnë të ndëshkohen. Përkundrazi, ata meritojnë të respektohen, madje të dekorohen pikërisht prej atyre organeve (thënë më saktë, personave), shtetërorë që po i ndëshkojnë… Nëse Hashim Thaçi është po ai që e përshkruan Rexhep Qosja në librin “Paqja e përgjakshme”, ai nuk duhej të kish shpenzuar para për forcat policore, por duhej të kish shkuar edhe vetë në Merdare krah për krah me Albin Kurtin… Në njoftimet mediatikë po thuhet që Kreshnik Spahiu ka bërë 39 vizita jashtë shtetit në orarin zyrtar. Po thuhet edhe për Jozefinë Topallin që, në udhëtimet e saj, ka shpenzuar karburant 95 milionë lekë (të vjetër?). Nëse zonja Jozefinë Topalli i ka shpenzuar 95 milionë lekë, jo të vjetër por të rinj, për ngjyrat e Flamurit, ashtu siç i ka shpenzuar Kreshnik Spahiu të 39 vizitat e tija jashtë shtetit, hallall milionat!.. E dimë që reklamat në bursën e Uoll-stritit kushtojnë shumë, por kur e pashë atje Flamurin Shqiptar, thashë me gjithë zemër: Hallall!.. Nëse Sali Berisha do të kish shpenzuar, jo aq sa shpenzoi Kreshnik Spahiu në Ulqin, por 300-fish më shumë, për të lejuar, ligjërisht e realisht, Flamurin Shqiptar edhe në qytetin e Tivarit (unë jam tivaras), do t’ua kisha lënë amanet pasardhësvet që, për 300 vjet, ta mbajnë portretin e Sali Berishës në dhomën e pritjes.

     Në kohën e shtetit jugosllav, në viset shqiptarë të pushtuar prej sllavëvet, deri në vitin 1968, kush guxonte të nxirte Flamurin Shqiptar, shkonte atje ku s’e shihte më diellin me sy. Burgosej dhe shpallej armik i atij shteti. Kreshnik Spahiu dhe Albin Kurti po trajtohen thuajse njësoj, në Shqipëri, jo në Jugosllavi. Atje, në atë shtet, përndjekjet e shqiptarëvet kanë vazhduar edhe në vitet pas 1968-s, deri sa bijtë e këtij Kombi (shih veprën e Kolë Berishës “Djajtë nuk flenë”) i kanë kryer gjysmë milioni vite burg, në emër të këtij Flamuri.

 

Albin Kurti

     Në vazhdim të të njëjtavet fobi patologjike, sërbët i kanë cilësuar terroristë luftëtarët e UÇK-së, pikërisht sepse këta luftëtarë priheshin prej këtij Flamuri. Sot, sllavët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, po kërkojnë vdekje (CMPT) për bartësit dhe adhuruesit e këtij Flamuri… Në shtetin grek, edhe në kohë të shkuara, edhe në kohën e sotme, cilido çam (ortodoks, se çamët myslimanë as që i lejojnë të shkojnë atje), që do të guxonte të ngrinte këtë Flamur, Flamurin Kuq e Zi, qoftë edhe në ballkonin e vet më 28 Nëntor, a mund ta përfytyrojmë ç’do të bëhej me të? Në shtetin grek na e vranë një djalë, vetëm sepse guxoi të mbështillet me Flamurin Kuq e Zi, ditën kur ekipi i tij kish fituar një ndeshje futbolli.

     A nuk kemi të drejtë të mendojmë që edhe 2 qeveritë tona, shqiptare, jo greke, shqiptare, jo sërbe, po na i vrasin këta 2 djem në të njëjtën mënyrë?! Po na i vrasin moralisht Albinin dhe Kreshnikun, dhe, bashkë me ta, po vrasin moralisht edhe mijëra vajza e djem, të cilët po guxojnë t’u shkojnë prapa këtyre 2 djemve!

     Njëra nga të dyja:

     O janë këta, që po e varrosin tinëzisht Kombin e vet, duke u paraqitur sikur e duan shumë këtë Komb, o janë qeveritarët tanë aktualë që (midis tjerash), duke u sjellë në mënyrë vrastare me këta 2 djem, dhe me mijëra të tjerët, po e varrosin Kombin tonë edhe më tinëzisht.

     Ç’mund të themi tjetër, në mos zënçin vend këto që thamë?!

     Po themi vetëm kaq:

 

Për Flamurin, më poshtërofshin!

Veç ata që të më poshtërojnë, të mos jenë shqiptarë!
Për Flamurin, më arrestofshin!

Veç ata që të më arrestojnë, të mos jenë shqiptarë!

Për Flamurin, më pushkatofshin!

Veç ata që të më pushkatojnë, të mos jenë shqiptarë!

 

 

Durrës, 9 shkurt 2012

 

 

- Për mungesë informacioni -

 

ZOTIN BUSEK

DUHET TA SQAROJMË

 

    Nëse z,Busek do ta kish arsimin e nevojshëm, ai duhej ta dinte me kohë që Kurshumlinë, Prokuplen, Leskovcin, Toplicën, Kosanicën, Pazarin e Ri, që janë toka të Shqipërisë, i ka pushtuar Sërbia në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek.XX... Zotit Busek duhet t’i sqarohet edhe fakti që kufijtë administrative, tani edhe shtetërorë, të Republikës së Kosovës nuk i kemi vënë ne shqiptarët. Ata kufij i kanë vënë, madje tepër padrejtësisht, pushtetarët sllavë, midis të cilëvet vetë sërbët, në kohën e RFS të Jugosllavisë. Po të ishin vënë me drejtësi, ata kufij do të fillonin në Prijepole e Sjenicë e do të përfundonin në derë të Nishit, atje ku është Qele-Kulla.

 

 

 

     Ne nuk e dimë sa zë vend dhe sa peshë ka fjala e z.Busek në vendimmarrjen e ndërkombëtarëvet. Por edhe në rrugë të dëgjohen qëndrime të tillë, ne do të ishim të detyruar të ndalemi dhe të bëjmë sqarimet e domosdoshëm. Mitrovica Veriore, bashkë me Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, janë pjesë të Republikës së Kosovës. Dmth janë pjesë gjeografike të Shqipërisë, ashtu siç është edhe Anamorava pjesë gjeografike e Kosovës e në vazhdim pjesë gjeografike e krejt Shqipërisë. Prandaj do të ishte jashtë çdo logjike të mendohet e aq më shumë të bisedohet për çfarëdo shkëmbimi të një territori shqiptar me një tjetër territor shqiptar. Kjo është baza nga duhet të niset, jo vetëm z.Busek, por kushdo që merr përsipër të flasë për kësofarë “shkëmbimesh” e “trambash” në tokat e shqiptarëvet.

 

Erhard Busek dhe veriu i Kosovës

     Nëse nuk ndjehet i sigurtë në ato që deklaron, z.Busek do të duhej t’u drejtohej beletristikës dhe dokumentevet në arkiva. Midis shumë dëshmive të tjera, ai do të mund t’i drejtohej psh njërit prej enciklopedistëvet më të mëdhenj të shek. XIX, Sami Frashërit, në veprën e tij Kamus Al-Alam. Në atë vepër, z.Busek do të mund të gjente edhe këtë të dhënë shumë të rëndësishme: “Krahinat e Vranjës, Leskovcit e të Kurshumlisë… janë thjeshtë toka të Shqipërisë.” (I,f.149) Sigurisht, kjo është e vështirë për dikë që nuk e ka arsimin e nevojshëm.

     Nëse z,Busek do ta kish arsimin e nevojshëm, ai duhej ta dinte me kohë që Kurshumlinë, Prokuplen, Leskovcin, Toplicën, Kosanicën, Pazarin e Ri, që janë toka të Shqipërisë, i ka pushtuar Sërbia në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Të gjitha këto toka e, vetëkuptohet, edhe Mitrovica, që është më në jug, mbeten gjeografikisht pjesë të Kosovës, gjegjësisht të Shqipërisë, pasi nuk ka asnjë vendim, as kombëtar, as ndërkombëtar, mbi ndryshimin e nocionevet gjeografikë në këto hapësira. Të gjitha vendimet që janë marrë lidhur me këto hapësira, kanë të bëjnë vetëm me ndryshime politiko - shtetërorë, por jo me ndryshimet gjeografikë.

     Zotit Busek duhet t’i sqarohet edhe fakti që kufijtë administrative, tani edhe shtetërorë, të Republikës së Kosovës nuk i kemi vënë ne shqiptarët. Ata kufij i kanë vënë, madje tepër padrejtësisht, pushtetarët sllavë, midis të cilëvet vetë sërbët, në kohën e RFS të Jugosllavisë. Po të ishin vënë me drejtësi, ata kufij do të fillonin në Prijepole e Sjenicë e do të përfundonin në derë të Nishit, atje ku është Qele-Kulla.

 

     Megjithatë, ne shqiptarët nuk po kërkojmë që kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës, pra të njërit prej shtetevet tanë, të shtyhen deri në kufijtë tanë gjeografikë. Kemi varret e të parëvet tanë dhe xhamitë tona të rrënuara, në të gjithë ata vende dhe ende nuk kemi kërkuar as status të veçantë për ata varre e për ata objekte kulturorë e fetarë. Një numër jo i vogël pasardhësish të një pjese të atyre shqiptarëve, shpëtuar gjallë prej mësymjesh asgjësuese sërbe, sot jetojnë në Besianë (Podujevë), në Prishtinë, në Kamenicë, në Ferizaj e deri në Tiranë e në Kavajë. Por ata nuk po kërkojnë për t’u kthyer në vatrat e stërgjyshërvet të vet. Sërbët po kërkojnë! Sërbët po ngrejnë pluhur e zhavorr e po duan t’i rindërlikojnë kufijtë që vetë etërit e tyre i kanë piketuar ashtu siç u ka interesuar atyre. Ne shqiptarët kemi shumë arsye që nuk po kërkojmë rindryshime e riformulime kufijsh, por njëra nga arsyet është edhe kjo: Nuk po duam të krijojmë tensione në këtë gadishull, edhe ashtu të mbingarkuar me primitivizma.

     Kur flet për shkëmbim territoresh, z.Busek ndoshta mund të jetë nisur prej aspektit aktual demografik në këta 2 territore. Në Mitrovicën e Veriut, mbasi vetëm vitet e fundit janë përzënë prej andej mbi 12 mijë shqiptarë, mund të thotë ai, shumica e banorëvet janë sërbë. Ndërsa në Anamoravë, shumica e banorëvet janë shqiptarë. (Meqë s’është arritur të dëbohen të gjithë prej andej.) Mirëpo, z.Busek e di që psh në Suboticë, që shtetërisht i takon Sërbisë, jeton një shumicë hungarezësh, kurse në Segedin, që shtetërisht i takon Hungarisë, jeton një shumicë sërbësh. Atëherë, pse të mos kërkojmë shkëmbim territoresh edhe midis Republikës së Humgarisë dhe Republikës së Sërbisë? Në qytetin Temishvar me rrethina jetojnë 3 herë më shumë sërbë se sa në Republikën e Kosovës. Edhe në Zvicër jetojnë sërbë më shumë se në Republikën e Kosovës.

     Z.Busek, sigurisht për mungesë informacioni, mund të thotë që sërbët në Zvicër e gjetkë janë imigrantë, ndërsa këta të Mitrovicës Veriore janë vendës. Historikisht vërtetohet krejt ndryshe, duhet t’i themi z.Busek. Sërbët, jo vetëm në Mitrovicë apo në Zubin Potok, por në krejt Ballkanin, në raport me shqiptarët, pasardhës të ilirëvet, janë të ardhur, janë imigrantë. Le që, pothuaj secili sërb i Mitrovicës e di mirë se nga ka ardhur, ai vetë ose të parët e tij.

     Ne duhet t’i kujtojmë z.Busek edhe një përvojë tonën shumë tragjike, atë të vitevet 1880-1881 në lidhje me Ulqinin. Në atë kohë ne “u këshilluam” prej Fuqivet të Mëdha të Evropës, që t’i jepnim Malit të Zi Ulqinin, KËMBIM me Grudën, Hotin, Plavën dhe Gusinë. Fuqitë e Mëdha e shoqëruan këtë “këshillë” me një kërcënim të madh nga ana e detit. Flota e 6 Fuqivet të Mëdha të Evropës, që demonstroi atëherë përballë Ulqinit, kish në bordin e vet më shumë ushtarë se ç’kish Ulqini banorë. Mos po bëjnë prapë, forca të fshehta atavike të asaj Evrope të atëhershme, të njëjtën punë edhe me Mitrovicën?! Në ato kohëra, ato forca, që s’ishin të fshehta, por të hapura, sepse Evropa e atëhershme nuk ish as përafërsisht demokratike, jo vetëm ia dhanë Ulqinin Malit të Zi, me ndihmën edhe të Perandorisë Osmane, por u kthyen e ia dhanë Malit të Zi edhe Grudën, Hotin, Gusinë e Plavën, që na i kishin premtuar si “territore shkëmbimi”. Mos po luhet prapë e njëjta lojë e forcavet të fshehta të Evropës, forca jodemokratike, që të na i marrin e t’ia falin Sërbit, edhe Mitrovicën, edhe Anamoravën, e ç’të mundin tjetër të zhvatin prej kësaj Kosove të sapokrijuar si shtet?!

     Duhet t’ia sqarojmë këto gjëra z.Busek, por duhet edhe vetëvetes t’ia themi me forcë. T’ia themi vetëvetes shumëfish më me forcë se z.Busek!

 

Durrës, 8 shkurt 2012

 

+++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++++

 

( Një dëshmi -  Sërbia në vitin 1817 shtrihej në kufijtë e Pashallëkut të Beogradit! )

 

Ndërkaq hartat në vijim dëshmojnë zgjerimin e Serbisë dhe Malit të Zi në territoret shqiptare!

 

( Ilustrimet i bëri moderatori i www.pashtriku.org )

 

 

Politikanët tanë, duhet të studiojnë historinë e Mesjetës

 

“REPUBLIKA” E SHATËRVANIT

( Për besë, ne jemi kombi më joparashikues në botë! )

 

 

Shkruan: Gjokë Dabaj

 

 

     Kam jetuar në Prizren dhe, kur shkoj në të, ndjehem si në vendrrënjën time,  në Shestan. Le që, edhe po të mos kem jetuar aty, Prizreni është qytet i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Si Kruja e si Vlora. Edhe si Tirana e Prishtina, që janë sot 2 kryeqytetet tanë, prej të cilëvet shpresojmë shumë.

     Bogosllovcat, në ata vite, i kishim në shpinë e nëpër këmbë. Na shihnin me sy e fytyrë prej bishe dhe ndiqnin çdo lëvizje tonën. Donin edhe prej mimikës sonë të zbulonin diçka. Tash na erdhi prapë rasti t’i kujtojmë bogosllovcat e Prizrenit.

     Në një kohë kur politikanët tanë po pranojnë që Kosova të mos quhet republikë në forumet ndërkombëtarë (kështu po thuhet), po këta politikanë po duan t’ia japin Qendrës së Prizrenit statusin sërb të “Republikës”. Ia kemi dhënë tashmë atë status Graçanicës, ia kemi dhënë Deçanit, Patrikanës Pravosllave në Pejë. (Lexoni në fund shtojcën e pashtriku.org) Në Mitrovicën Veriore po e marrin vetë, pa miratimin tonë dhe, kur ta bëjnë përfundimisht fakt të kryer, do të na thonë: “Firmosni!” Dhëntë Zoti të mos u mbushet mendja ndërkombëtarëvet, se për ne…i kanë marrë me kohë edhe Mitrovicën, edhe Shalën e Bajgorës.

 

Qendra Historike e Prizrenit

 

     Në krejt këtë paradë dështimesh, paradë absurde dhe e turpshme për të gjithë ne, politikanët tanë, me ngiasë, mendojnë kështu: “Po ua hedhim sërbëvet duke pranuar kësi gjërash të vogla. Sapo të njihemi prej të gjithë shtetevet të Evropës dhe sapo të pranohemi në OKB, është në dorën tonë dhe bëjmë ç’të duam edhe me Shatërvanin, edhe me Zveçanin. Na doli mirë në Rambuje, mirë do të na dalë edhe këtë herë.

     Mirëpo, kjo dëshmon që ne nuk i njohim, as diplomacinë, as historinë. Faktikisht, ne po shtiem në punë këtu një lloj dinakërie, që është cilësi e çdo diletanti inferior, dhe po zbatojmë vetëm atë çfarë po na këshillon burokracia ndërkombëtare. (Po e theksoj fjalën burokracia. Gj.D.) Ne nuk e dimë, ose nuk duam ta dimë që, si për çdo burokraci tjetër, edhe për burokracinë ndërkombëtare, nuk ka fare rëndësi se çfarë do të ndodhë nesër. Për burokracinë ndërkombëtare ka rëndësi si t’i kapërcejë sa më lehtë problemet që i dalin dhe me kaq ajo e quan të mbaruar punën e vet. “Mbas meje”, thotë burokrati, “tymi t’i dalë. Tymi edhe flaka.” Nuk duhet të na gënjejë mendja që ai, sado skrupulent të jetë, do të shqetësohet për çfarë mund të ndodhë në Kosovë mbas 50 vjetësh.

     Politikanët tanë, sidomos ata të Kosovës, duhet të studiojnë me vëmendje të posaçme historinë e Mesjetës. Unë nuk e di sa lexojnë politikanët e veçanërisht diplomatët tanë, por nga veprimet e tyre duket sikur ata as që e kanë në “menynë” e jetës së tyre të përditshme të ushqyerit e trurit me sa më shumë dituri. Do studiuar e njohur mirë politika e Nemanjiqëvet, sepse pikërisht me vazhdimin e po asaj politike kemi të bëjmë edhe sot. Do studiuar periudha e Brankoviqëvet në Kosovë. Ashtu si arritën ta kthejnë në fitore betejën e humbur të 1389-s në Fushë-Kosovë, sërbët po përpiqen e do të përpiqen ta kthejnë në fitore edhe bombardimin që u bëri NATO-ja më 1999-n. Sërbët, kur janë në ofensivë, vrasin foshnja dhe fëmijë. Kur janë në tërheqje, ata luajnë viktimën e “keqtrajtuar” “padrejtësisht”.

 

Zemra e Qendrës Historike të Prizrenit

 

     Do studiuar mënyra se si Patrikana Pravosllave arriti të mbijetojë në kohën e Perandorisë Osmane, mu midis shqiptarëvet. Në kohën kur ne (Jo turqit, por ne!), ia digjnim shtëpinë Imzot Pjetër Bogdanit, e rrihnim për vdekje Imzot Pjetër Bogdanin dhe e “shëtisnim” nëpër Prizren lakuriq e të lidhur, murgjit sërbë bënin jetë të “përvuajturish” dhe prisnin ditën. Arsen Çarnojeviqi iku bashkë me austriakët, por murgjit mbetën këtu, duke u bërë karshillëk pashallarëvet tanë, ashtu siç po u bën edhe sot po ai lloj murgjësh karshillëk pushtetarëvet tanë. Kështu, ndërsa pashallarët tanë i shërbyen Turkut sa qe Turku dhe pas Turkut u shuan, murgjit sërbë mbijetuan dhe, kur u erdhi dita, i dinin një për një: Cilët shqiptarë duhen vrarë, cilat shtëpi shqiptarësh duhen djegur dhe cilët shqiptarë do të mund të përdoreshin si spiunë.

     Ndërsa ne, duke mos e njohur historinë, ose duke mos ia vënë veshin asaj, po ua plotësojmë tekat, edhe peshkopëvet sërbë, edhe atyre që, në ditën e Krishtlindjevet, vijnë e bëjnë sikur luten në manastiret, që në fakt nuk janë të tyret. Nuk janë të tyret, aq sa nuk janë të arabëvet as xhamitë tona, sado që shkronjat në to i kemi arabisht.

     Detyra kryesore e Akademisë së Shkencavet e Artevet të Kosovës, në këtë periudhë decizive të historisë sonë, do të ishte: Të ndriçojë me sa më shumë fakte e dokumente marrëdhëniet tona me sllavët nga shekulli VII e këndej. Akademikët tanë duhet të dalin ditë për ditë me shkrimet e tyre, të shkurtër e koncizë, mbi veprimet e sërbëvet në Kosovë në të gjithë shekujt.

     E, nëse do të veprohej kështu, nuk do të ish aspak e vështirë të gjendej e të publikohej germë për germë, psh. letra që kryepeshkopi i Ohrit i dërgon kryepeshkopit sërb, Sava Nemanjiqit. Në atë letër kryepeshkopi i Ohrit e akuzon rëndë e ashpër Sava Nemanjiqin për faktin që i kish uzurpuar, midis tjerash, edhe kishat e manastiret e Prizrenit. Pra, kishat e manastiret e Prizrenit nuk kanë qenë në duart e sërbëvet deri në gjysmën e parë të shekullit XIII. Këtë letër do të duhej ta lexonin e ta studionin parlamentarët tanë, para se të merrnin vendimin për t’u dhënë statusin e “republikës” manastirit, të quajtur sërb, dhe bogosllovisë pravosllave, mu në qendër të Prizrenit.

     Sërbët do të thonë: “Rroftë Republika e Shatërvanit!” Dhe nuk do të kënaqen me aq. Po ne, çfarë duhet të themi, mbasi ta kemi konstituuar?! Ata do ta rindërtojnë monumentin e Car Dushanit mu aty ku e kanë pasur, kur ishin pushtues. Po ne çfarë do të duhet të bëjmë? Çfarë do të na mbetet të bëjmë?! Edhe Hitleri e pat pushtuar Poloninë. A do të lejonin polakët që të ngrihet një bust i Hitlerit në Varshavë ose në cilindo prej qyteteve të Polonisë, madje mbasi është thyer e larguar ushtria hitleriane!? Për besë, ne jemi kombi më joparashikues në botë!

 

Durrës, 31 janar 2012

 

 

© Pashtriku.org, Janar'2012

 

 

 

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

 

Grupi i papërgjegjshëm negociator i Kosovës!

 

 OFERTA „HISTORIKE“ E GRUPIT TË UNITETIT -

PËR FORMIMIN E KOMUNAVE TË REJA ETNIKE SERBE!

 

 

 .

 

 

 

 

powered by Beepworld