Flet Skënder Tufa, njeriu që intervistoi Hysen

 Shoshorin, atë që e dënuan me vdekje nga dëshmia

e ish’komunistit të devotshëm Sali Berisha!

 

 

 

SKËNDER TUFA:

 

NUK TË KAM FRIKË SALI BERISHA!

 

 

Klikoni më poshtë rrëfimin tronditës:

http://www.youtube.com/watch?v=2K8Pq2953lM

 

 

     Skënder Tufa është personi që ka regjistruar dëshminë e Hysen Shoshorit, anti-komunistit veteran, që u dënua me 25 vjet burg në 1975, pasi shpërndau për vite me rradhë në Tiranë rreth 41 mijë trakte kundër diktaturës. Për Skënderin, jeta nuk ka qenë e lehtë as në diktaturë, as pas viteve '90. Ai u arrestua në 1980 për pjesëmarrje në organizatë kundër revolucionit me nenin 57 të asaj kohe dhe për agjitacion dhe propagandë dhe u dënua me 18 vjet heqje lirie. "Jam liruar në vitin 1991, burgun e kam bërë në Spaç, në Qafë - Bari dhe së fundmi jam liruar nga burgun e Sarandës"-ka treguar Skënderi në një intervistë për emisinonin investigativ “Xhungël” te News’24. Vetë Skënderi vjen nga shtresë e persekutuar, babanë e ka pasur në burg, xhaxhai Ahmet Tufa ishte kryetar i organizatës së fshehtë anti -  komuniste për të cilën u arrestua Skënderi, kishte të vëllanë në burg politik etj. Dëshmitë e këtij ish të përndjekuri politik marrin rëndësi për shkak se i akuzuari i tij dhe i shokut të tij të burgut Hysen Shoshori, është një emër që ka dominuar skenën politike shqiptare këto 20 vjet, kreu aktual i qeverisë, mjeku ish’komunist Sali Berisha. Vetë Berisha ka dhënë dy përgjigje kontradiktore për Shoshorin, një në 2009 dhe një ditët e fundit. Herën e parë tha që "shikoni se ky njeri nuk është dënuar fare" dhe herën e dytë - pasi në shtyp u publikuan faksimilet e gjyqit dhe kaseta akuzuese e regjistruar e Shoshorit - tha që dëshmitë e tij janë "fantazi nga më vulgaret". Por jo vetëm kjo gënjeshtër e zakonshme në repertorin politik të S.Berishës, por edhe ajo që i ka ndodhur Skënderit pasi botoi në gazetën e tij Plaga (u botua vetëm dy numra) intervistën e Shoshorit, të bën të mendosh që për dikë ka qenë shumë e rëndësishme që ajo dëshmi të zhdukej. Nëse nuk do kishin bërë atë regjistrim të zhdukur për vite me rradhë dhe të rishfaqur papritur këto javët e fundit, Hyseni dhe Skënderi ndoshta do kishin patur një fat shumë më të zi se thjesht persekutimi. ( Lexoni në fund të intervistës fjalën e avokatëve Haki Kraja dhe Genci Terpo të mbajtur para Gjykatës së Shkalllës së Parë, Tiranë, 2005, lidhur me dënimin e Skënder Tufës për „prostitucion“! )

 

*   *   *

     Nëse me ndodh diçka, e kam nga Sali Berisha dhe unë po i them publikisht se “nuk të kam frikë Sali Berisha”. Ky ishte mesazhi që ka përcjellë publikisht ish i dënuari politik Skënder Tufa, njeriu që intervistoi për herë të parë në vitin 2002, Hysen Shoshorin. Emisioni investigativ “Xhungël” i transmetuar ditë më parë në NEWS 24, solli dëshmi të reja lidhur me dosjen e titulluar “Dëshmitari”. Këtë radhë në qendër të emisionit ishte dëshmia e bashkëvuajtësit të burgut të Hysen Shoshorit, Skënder Tufës, njeriut që pasi publikoi për herë të parë intervistën iu nënshtruar një presioni dhe kërcënimi deri me eleminim fizik. Skënderi në këtë intervistë tregon se Shoshori ka folur për herë të parë për Berishën kur nga burgu i Sarandës në dhomën e TV po shihnin së bashku trazirat në Tiranë dhe Qytetin Studenti. Kur TVSH e ka paraqitur Berishën si "lideri i studentëve dhe demokracisë" Hyseni ka shpërthyer duke thënë: "Si ka mundësi të jetë ky. Ky njeri më ka dalë dëshmitar mua, ka kërkuar ekzekutimin tim në gjyq". “Do të të fusim në një gropë ku nuk do të gjejnë dot as ata që të groposën”, ka qenë kërcënimi që i është bërë Tufës në prani të një miku të tij pranë lokalit ku punon. Më poshtë ka pjesë nga intervista e Skënder Tufës, ku ai flet lidhur me regjistrimin e dëshmisë së Hysen Shoshorit si dhe me arrestimin dhe dënimin që pasoi këtë ngjarje që në ato vite u shua shpejt për shkak të tirazheve të pakta të gazetës „Plaga“ dhe pamundësisë për të transmetuar intervistën e regjistruar. Në rrëfimin e tij Tufa midis të tjerash tregon se çfarë pasojash pati, pasi u vizitua në burgun e Shën Kollit, nga një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit. Më poshtë po botojmë intervistën e Skënder Tufës të publikuar në emisionin “Xhungël” te NEWS’24.

 

( Klikoni më poshtë rrëfimin tronditës: )

http://www.youtube.com/watch?v=rtCljSG4jKg

 

 

 

Skënder Tufa:

 

 

"Persekutimi pas botimit të dëshmisë së Hysen Shoshorit. Si e montuan akuzën ndaj meje“

 

     NEWS’24: Kur jeni arrestuar dhe cila ishte akuza ndaj jush?

     S.TUFA: Unë jam arrestuar në vitin 1980 për pjesëmarrje në organizatë kundër revolucionit me nenin 57 të asaj kohe dhe për agjitacion dhe propagandë me 18 vjet heqje lirie. Jam liruar në vitin 1991, burgun e kam bërë në Spaç, në Qafë-Bari dhe së fundmi jam liruar nga burgun e Sarandës. Dënimin e parë jam dënuar bashkë me pesë persona të tjerë për pjesëmarrje në organizatë.

 

     NEWS’24: Çfarë ndodhi më pas me familjen tuaj?

   S.TUFA: Ne jemi nga Tirana, më saktë nga Zallheri, kemi 70 vjet në Tiranë. Me burgosjen e vëllait tim, me burgosjen time dhe të xhaxhait tim, pati pasoja i gjithë fisi. U internua komplet farefisi, familja ime, gjyshja dhe gjyshja ime, të cilët nuk i pashë më, pasi vdiqën kur isha në burg, xhaxhallarët e mi vajtën në internime për arsye të aktivitetit tonë.

 

      NEWS’24: Çfarë profesioni kishit dhe ku ishit kur u arrestuat?

     S.TUFA: Kam qenë tornitor në uzinën “Traktori”. Kisha mbaruar shkollën e mesme dhe isha tornitor. Jam ndaluar kur isha qethur ushtar, isha 18 vjeç e dy muaj, jam arrestuar te shtëpia e xhaxhait tim. Kam vajtur për të mësuar sesi kishte shkuar aksioni i vjedhjes së makinës së shkrimit. Pak më përpara ishte arrestuar xhaxhai, në atë moment me arrestojnë edhe mua.

 

     NEWS’24: Si quhej organizata juaj dhe kush bënte pjesë në të?

    S.TUFA: Organizata quhej „Dora e Hekurt“. Ne vinim nga shtresa të persekutuar, babain e kam pasur në burg, xhaxhai im Ahmet Tufa, që ishte kryetar i organizatës kishte të vëllanë në burg politik edhe personat e tjerë, Fatmir Lagaj kishte një vëlla të pushkatuar, Avni Talo, Lulzim Talo kishin pasur persona të burgosur dhe ishin të motivuar për të qenë njerëz të papajtueshëm me regjimin.

 

     NEWS’24: Cili ishte aktiviteti juaj?

     S.TUFA: Aktiviteti ynë i parë ka qenë për t’u marrë një shtypshkronjë, që dështoi. Me atë punë do të merresha unë, do shtypeshin traktet që shpërndaheshin në Tiranë, se traktet shtypeshin me dorë atëherë. Pas kësaj sensibilizimi dhe pasi të verifikonim se do të kishte një anëtarësim të njerëzve dhe të rinisë, që do të ndërgjegjësohej për situatën, atëherë do të hapej një depo armësh që ishte afërisht mes varrit të Bamit dhe uzinës së “Traktorit”. Me ato armë që ishin në atë objekt synohej që të hapej burgu i Spaçit. Dhe duke pasur parasysh që të burgosurit politikë ishin disidenca e vendit.

 

     NEWS’24: Pra kjo organizatë nuk pati jetën e gjatë?

     S.TUFA: Ajo u shkatërrua në momentin kur do të bëhej aksioni i parë, sepse ishte një spiun brenda organizatës. Megjithatë pati rëndësinë e vet se diku e lëshoi jehonën e vet, se një pjesë e rinisë shqiptare nuk pajtohej me regjimin dhe një nga kërkesat e kësaj organizate ishte që të hapej burgu i Spaçit, të thyhej një depo armësh dhe janë hedhur disa trakte në Tiranë me motivin që populli të ndërgjegjësohej për politikën antikombëtare dhe rrënuese që ndiqte qeveria e asaj kohe.

 

     NEWS’24: Kur e keni njohur Hysen Shoshorin?

     S.TUFA: Hysen Shoshorin e kam njohur që në vitin 1981 në Spaç. Kur kam vajtur atje, bashkë me xhaxhanë, jemi pritur nga disa miqtë tanë nga Tirana, që nuk njiheshim, por aktiviteti ynë ka pasur jehonë. Ata na mirëpritën. Ne tregonim për aktivitetin tonë, ai tregonte për aktivitetin e tij, e kështu patëm miqësi me njëri-tjetrin. Kishim pasur aktivitet të përbashkët. Kam qenë 1981-1983, 83-86 në Qafë-Bari, ai ka qenë aty, pas këtij viti kam qenë gjithë kohës me Hysen Shoshorin.

 

     NEWS’24: Kur u liruat nga burgu?

     S.TUFA: Nga burgu jam liruar më 17 mars 1991. Jam liruar në një ditë me Hysen Shoshorin. Në burgun e Sarandës kemi ndjekur lëvizjen Studentore dhe kemi parë në krye të saj, Sali Berishën. Që në atë moment, Hysen Shoshorin, që e kam pasur mik, ka qenë Gjergj Ndreca, Gjergj Livadhin e shumë të tjerë, e dëgjuan fjalën e Hysen Shoshorit, që tha:”ky person nuk mund të jetë lideri i Demokracisë, se ky më ka dalë dëshmitar”.

Tesera e Anëtarit të Partisë së Punës të Shqipërisë, që në gjyqin

e Hysen Shoshorit kërkoi dënim kapital "VARJE NE LITAR!"

 

     NEWS’24: Kur e përmendi për herë të parë dëshminë e tij Hysen Shoshori?

     S.TUFA: Ai nuk mund ta përmendte këtë dëshmi, vetëm kur doli si lideri i Dhjetorit, ai e ka përmendur këtë dëshmi. Ka qenë viti 1990, kur ishim në Sarandë. Kur e ka parë në televizor si lider i demokracisë, ka thënë “si ka mundësi të jetë lideri i demokracisë, me këtë do të vijë demokracia, ai më ka dalë dëshmitar mua dhe ka kërkuar ekzekutimin tim në gjyq”. Kemi qenë ne burg, në sallën e televizorit, atje ku shihnin të gjithë, se një televizor ka qenë për burgun.

 

     NEWS’24: Kur u liruat kush ju priti ju, po Shoshorin kush e priti?

     S.TUFA: Atëherë ishte një metodë që vinin autobusë nga çdo rreth, ne kishim autobusin e Tiranës, kemi ardhur me këtë autobus drejt Tiranës. Familja ime ishte në internim dhe mua s’më ka pritur njeri. Po ashtu dhe Hysen Shoshorin, nuk e ka pritur njeri. Atë e ka marrë një person, që nuk dua t’ia përmend emrin, madje ai përfitoi nga përkrahja që i bëri Shoshorit, dhe pothuajse atë natë kam fjetur jashtë në rrugët e Tiranës.

 

     NEWS’24: Pas lirimit a e takuat më mikun tuaj?

     S.TUFA: Mbas 10 ditësh që jam liruar nga burgu, kam takuar Hysen Shoshorin që më ka treguar këtë fakt. Katër ditë pas lirimit nga burgu, kam vajtur te Partia Demokratike, që ishte te “Rruga e Kavajës”, ka hyrë në zyrën e Sali Berishës dhe i ka thënë, që jam Hysen Shoshori. A më njeh? Berisha, sa ka dëgjuar emrin e tij, ka dalë nga zyra dhe i ka bërtitur rojeve që ishin aty, që pse me futni njerëz të panjohur në zyrë, që nga ai moment ai është larguar dhe nuk e ka takuar më Hysen Shoshorin.

 

     NEWS’24: Kur filloi të botohej gazeta “Plaga”?

     S.TUFA: Gazeta realisht ka filluar të botohet në vitin 2000. Por për mungesë fondesh ka dalë shumë rrallë. Ajo dilte falë ndihmës së njerëzve, si Bahri Kokonozi, Bujar Bakalli. Kjo gazetë ishte organ i shoqatës së ish të burgosurve politikë. Kjo shoqatë lindi si domosdoshmëri e shkëputjes së problemeve të të burgosurve politikë nga çështjet e të përndjekurve politikë. Sepse Sali Berisha nxori shumë tema e teori, njëra nga këta ishte ‘bashkëvuajtës, bashkëfajtorë’. Me këtë term ai futi të gjithë shqiptarët bashkëvuajtës dhe të gjithë shqiptarët bashkëfajtorë, duke mos e distancuar krimin nga krimineli.

 

     NEWS’24: Ndërsa shteti deri më tani ka dhënë ca lekë, ka dhënë edhe dekorata për të persekutuarit dhe të burgosurit. A mendoni se janë dekoruar të gjithë?

     S.TUFA: Hysen Shoshorti është një nga ato njerëz që demokracia reale duhet ta dekoronte menjëherë, sepse ai ka qenë një disident real, se për 11 vjet më radhë ai ka hedhur në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ai ka hedhur 41 mijë trakte, duke ndërgjegjësuar njerëzit për natyrën e pushtetit komunist dhe për nevojën e demokratizimit të jetës në vend. Ky person me gjithë këtë aktivitet zvarritet në rrugët e Tiranës, duke mos pranuar që të shtrinte dorën apo të bëhej një vegël e politikës që erdhi pas 1990, që si për atë dhe për miqtë e tij, një nga ata jam edhe unë, është një politikë hibride, ishte një politikë shkatërruese.

 

     NEWS’24: Edhe pse miku juaj ka dëshmuar për Sali Berishën, ai e ka mohuar një gjë të tillë. Jeni në dijeni të këtij qëndrimi të tij?

     S.TUFA: Isha në dijeni që nga Saranda që lideri i PD’së, ishte dëshmitar i Hysen Shoshorit. Ai mund ta mohojë, se e kam ndjekur që e ka mohuar. Ekziston edhe një kasetë, që unë për momentin nuk e kam, është bërë në këtë ambient, ai ka folur me gojë se cili ka qenë dëshmitari i tij. Kjo intervistë pati si qëllim për të sqaruar shumë miq tanë, që nuk ishin në dijeni se kush ishte lideri i PD’së, që për 20 vjet i kanë dhënë votën, por që ata janë ndërgjegjësuar se vota e tyre e kanë dhënë në drejtim të gabuar, sepse ai ka qenë personi që për 20 vite e ka varrosur çështjen e të burgosurve politikë, siç ka varrosur çështjen e pronave si dhe mos gjetjen e viktimave që janë ekzekutuar.

 

Sali Berisha me shokët e Partisë...!

 

     NEWS’24: Po Hyseni para se ta intervistonit ju a ishte drejtuar në ndonjë gazetë tjetër për të dëshmuar?

     S.TUFA: Hyseni ishte drejtuar disa organizmave dhe asnjë nuk kishte pranuar ta botonte intervistën e tij. Duke pasur parasysh që ai ishte i burgosur politik, duke pasur parasysh që ishte dhe miku im, që unë e njihja dhe isha në dijeni të këtij problemi, gazeta kishte për qëllim të pasqyronte plagët shoqërore, intervista e tij u pranua pa asnjë ekuivok dhe u botua e plotë ashtu siç e tha, Hysen Shoshori.

 

     NEWS’24: Si u prit intervista dhe cilat ishin reagimet e para?

     S.TUFA: Në përgjithësi intervista është pritur me habi nga shumë njerëz, sidomos nga miqtë tanë, por kemi pasur edhe presione. Kemi qenë këtu në këtë vend, me zotin Bahri, ku na kanë ardhur një person dhe na ka bërë presion të drejtpërdrejtë dhe na ka thënë ‘tërhiqe këtë material që ke bërë, se nëse nuk e tërheq do të fusim në një gropë që nuk do të gjejnë dot as personat që të kanë futur në gropë’. Një presion i tillë s’ka nevojë për t’u komentuar.

 

     NEWS’24: A ka folur më Hysen Shoshori për këtë dëshmi që ju ka dhënë juve?

     S.TUFA: Hysen Shoshori nuk ka folur më, ai është bllokuar. Jetonte në kushte jashtëzakonisht të rënda. Ai u ngrohte te motori i frigoriferit. Pas daljes së intervistës dhe pas ardhjes së PD-së në pushtet, personi që e mbante i detyruar nga rrethana të ndryshme, u detyrua ta largonte. Pasi qëndroi për një kohë rrugëve, e mori familja e vet. Nëse Hysen Shoshori ishte akuza e djeshme e Sali Berishës, unë jam akuzë e sotme e Sali Berishës.

 

     NEWS’24: Po vetë Hyseni ka pasur presione për këtë intervistë?

     S.TUFA: Disa ditë pas intervistës Hysen Shoshori kapet në rrugë nga persona të panjohur dhe çohet në Drejtorinë e Policisë. Pasi iu nënshtrua pyetjeve e liruan duke i thënë, “ti tani nuk je i rrezikshëm, sepse nuk ke më fuqi të na kafshosh”. Kur personi erdhi këtu për të bërë presion unë i thashë ‘jam anëtar i Amnesty International, kam lënë me shkrim e me gojë, familjes dhe miqve të mi, që nëse më ndodh një gjë më e vogël, unë e kam të keqen nga Sali Berisha për arsye të intervistës’. Për dy vite jam survejuar, por s’kam pasur problem të drejtpërdrejtë.

 

     NEWS’24: Po ju pse u arrestuat në 2004?

     S.TUFA: Në 2004 unë arrestohem dhe dënohem për një vepër të pakryer, me makinacione që ia kalojnë atyre të kohës së diktaturës. Ky person nuk bëri veprime direkte, por personat që i ngarkoi e kryen më mirë se ai vetë. Faktikisht jam arrestuar më 4 maj 2004.

 

     NEWS’24: Me sa vite burg u dënuat?

     S.TUFA: U dënova me 7 vjet burg. Neni ishte nga 7 deri në 15 vite me burg, pra u dënova me minimum. E apelova vendimin, deri në gjykatën e Lartë, gjykatën Kushtetuese, e tani e kam në gjykatën e Strasburgut. Kryetari i Apelit ka qenë kundër dënimit, dy anëtarët pro dënimit. Gjykata e lartë nuk e ka pranuar ta gjykojë, gjykata Kushtetuese nuk tha që ka shkelje kushtetuese. Gjykata e Strasburgut e ka pranuar kërkesën time dhe pritet shqyrtimi nga kjo gjykatë.

 

     NEWS’24: Në cilin burg vuajtët dënimin dhe si ju trajtuan atje?

     S.TUFA: Fillimisht më çojnë në burgun e Lezhës. Në 2004 Berisha nuk ishte në pushtet, por presioni i tij ka ardhur qysh në 2002. Dikush më ka thënë se nuk të ka dënuar Berisha për intervistën, por unë them që po, jam dënuar për intervistën. Në janar të 2006, sapo kam shkuar në burgun e Lezhës, kam kontaktuar me një mikun tim që ishte oficer. Ai të nesërmen e vajtjes në këtë burg më çon te drejtori i burgut, që ishte privilegj. Drejtori ishte nipi i një ish-të persekutuari politikë. Ai më priti mirë në zyrë, më ofroi kompjuterin, telefonin, gjithçka që kishte në dorë, për të lehtësuar dënimin. Më tha që ‘këtu nuk do të jesh i burgosur, por do të jesh i ndaluar’. Sapo kam dalë nga zyra, vjen Agron Kuliçi. Ai ka qenë shoqëruesi i Berishës. Ka ardhur me fuoristradë gri, është futur në zyrën e drejtorit, ka ndenjur rreth gjysmë ore, dhe për dy vite e gjysmë që kam qëndruar në Lezhë, jo që nuk i kam pasur ato lehtësira që më premtoi drejtori, por nuk e kam parë me sy drejtorin, as mikun tim, që ishte i trembur dhe nuk më afrohej më. Që nga atë moment, kundër meje vepronin, të burgosur, policë, që nuk dinin se çfarë bënin, se ishin të kurdisur. Por unë i kam falur të gjithë me shprehjen e vetë birit të Zotit ‘fali o Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë’. I kam falur se gjithçka ishte e kurdisur.

 

      NEWS’24: Këtë që thoni ju e keni nga fjalët e të burgosurve apo e keni parë vetë personin në fjalë?

     S.TUFA: E pashë me sytë e mi. Nuk ma ka thënë njeri, targat nuk ia kam parë, por kam parë fuoristradën. Për intrigat ndaj meje kanë futur policë deri edhe mjekun e burgut. Jam liruar në janar të 2010.

 

     NEWS’24: Pra ju vazhdoni të pohoni se Shoshori ka bërë me gisht nga Berisha që ka qenë dëshmitari i tij në gjyq?

     S.TUFA: Ai ma ka thënë disa herë, kur e kemi marrë për ta intervistuar, thelbi i saj ka qenë ‘në sallë hyn një person i gjatë, nga xhepi nxjerr traktin dhe thotë, ky trakt ka përmbajtje armiqësorë dhe ky person duhet të ekzekutohet, ky person duhet të varet në litar, ky person ishte Sali Ram Berisha’. Kjo është prononcimi i Hysen Shoshorit, është bërë prononcim me shkrim dhe me video dhe ajo kasetë ekziston diku.(Kur është marrë në intervistë nga “Xhungël” Skënder Tufa nuk e dinte se ku ndodhej kaseta me intervistën e filmuar të Hysen Shoshorit) Kasetën nuk e mora unë. E mori një mik. Miku që duhej të na jepte nga një kopje të kasetës, nuk e mbajti fjalën, se një kasetë duhet ta mbante ai, një ne.

 

     NEWS’24: A ndjeheni i frikësuar dhe nga kush?

     S.TUFA: Unë deklarohem publikisht, se nëse me ndodh diçka përsëri e kam nga Sali Berisha dhe unë po i them publikisht se “nuk të kam frikë Sali Berisha”.

 

 

 

                                                                                                   © Pashtriku.org, 16. 04. 2011

 

 

 

Si e gjeti gazetari Artan Hoxha kasetën origjinale ku

 ishte inçizuar dëshmitari Hysen Shoshori?!

 

 

SALI BERISHA: „TË VARET NË LITAR!“

 

 

Njeriu që ka ndikuar në dënimin time me vdekje në

kohën e regjimit komunist ishte Sali Berisha. Ai doli

dëshmitar në gjyqin tim duke bërtitur me të madhe:

“Të varet në litar!"

 

 

    Hysen Shoshori i cilësuar si antikomunisti më i vendosur në gjithë vendet e lindjes, për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm plot 41100 trakte ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha. Shaptilografin me të cilin Hysen Shoshori shtypi traktet, e grabiti në muzeun e relikeve të luftës Nacional-Çlirimtare. Shaptilografi ishte përdorur nga grupet guerile gjatë Luftës së Dytë Botërore për të shtypur trakte kundër Nazi-Fashistëve. Hysen Shoshori u arrestua në orën 23.00, të datës 16 gusht 1974. Ai u kap teksa po shpërndante trakte tek Ambulanca Qendrore. Aty, atë natë atë e prisnin më shumë se 10 roje të Sigurimit të Shtetit. Operacioni për kapjen e tij mbante emrin "Kafka". Gjykata e dënoi fillimisht Hysen Shoshorin me vdekje me pushkatim. Por ndërsa ai priste ekzekutimin, 47 ditë më vonë dënimi iu fal nga me vdekje në 25 vite burg. Shoshori bëri vetëm 17 vite burg pasi u lirua me rënien e komunizmit më 17 mars 1991. Bashkëvuajtësi me të cilin Hysen Shoshori qëndroi fillimisht në Burgun e Spaçit dhe më pas deri sa u lirua, në burgun e Shën Vasilit në Sarandë, është Skënder Tufa. Të dy të dënuarit me akuza gati të njëjta u njohën në vitin 1981 në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Miqësia e tyre u forcua dhe ata qëndruan bashkë deri në momentin që u liruan në mesin e marsit 1991. Të dy të dënuarit politikë u liruan në të njëjtën ditë dhe për ta ishte rezervuar i njëjti fat. Ata udhëtuan me autobus nga Saranda në Tiranë, ku nuk i priti askush nga familjarët e tyre, të cilët ishin internuar nga Sigurimi i Shtetit. Hysen Shoshori i tregoi Skënder Tufës dhe bashkëvuajtësve të tij, se njeriu që kishte dëshmuar kundër tij në vitin 1975, ishte pikërisht politikani që kishte dalë në krye të lëvizjes opozitare për të rrëzuar komunizmin, Doktor Sali Berisha. Nisur nga ky fakt Skënder Tufa e intervistoi mikun e tij të burgut në vitin 2002 dhe e botoi për herë të parë intervistën në gazetën e të persekutuarëve "Plaga". Kjo intervistë është mohuar disa herë nga kryeministri Berisha, duke thënë se ishte e falsifikuar.

 

*  *  *

      "Njeriu që ka ndikuar në dënimin time me vdekje në kohën e regjimit komunist ishte Sali Berisha. Ai doli dëshmitar në gjyqin tim duke bërtitur me të madhe: Të varet në litar!". Kjo është dëshmia e Hysen Shoshorit, njeriut të dënuar nga regjimi komunist me varje, por që më pas u fal duke u dënuar me 25 vjet burgim. Ai ka lënë qelitë e burgut pas 17 vitesh. Shoshori ka rrëfyer në emisionin "Xhungël" të gjithë historinë e tij nga shpërndarja e trakteve e deri tek dënimi pas dëshmisë publike të Sali Berishës. Intervista me Shoshorin është realizuar nga bashkëvuajtësi i tij i burgut, Skënder Tufa në vitin 2002 dhe është transmetuar në emisionin Xhungël të gazetarit Artan Hoxha.

 

Vendimi Nr.45, datë 10.02.1975, i Gjykatës së

Rrethit - Tiranë, kundër Hysen Shoshorit...

 

 

     Gazetari Artan Hoxha transmetoi dy ditë më parë (në emisionin  investigativ "Xhungël" në NEWS’24.) dëshminë tronditëse të Hysen Shoshorit, njeriut të dënuar nga regjimi komunist me dëshmi të kryeministrit aktual - Sali Berishës. Në një intervistë Artani rrëfen se gjetja e kasetës origjinale ishte një nga gjërat më të vështira. Ai tregon edhe një pjesë të pathënë, çfarë i ka ndodhur njeriut që regjistroi dëshminë, burgimi i tij në Shën Koll dhe vizita e zyrtarit të policisë.

 

Gazetari Artan Hoxha

 

     PYETJE: Artan, çfarë u shtyu të gërmonit në historinë e Hysen Shoshorit?

     A.HOXHA: Historia e 77 vjeçarit Hysen Shoshori, gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm si reporter por edhe si qytetar i thjeshtë. Sa herë që emri i tij përmendej në ndonjë shkrim në media bëhesha kurioz për të mësuar fatin tragjik të këtij njeriu. Çfarë e kishte shtyrë atë të shtypte jo pak, por plot 41100 trakte kundër regjimit komunist. Një shifër e pazakontë, e denjë për rekordet Guinnes. Për më tepër po të kemi parasysh periudhën kur Hysenit i është dashur ti shtyp këto trakte, duke nisur nga viti 1961 deri në gushtin e vitit 1974. Sa punë titanike i është dashur atij, ku e ka gjetur gjithë atë letër dhe sa kujdes ka treguar për të mos përfunduar në duart e Sigurimit të Shtetit. Më dukej diçka e pamundur, e pabesueshme, që një njeri i thjeshtë, me profesion xhenerik, krejt i vetëm të kishte bërë një veprim të tillë. Të gjitha këto pikëpyetje më shtuan kuriozitetin dhe më nxitën që të gërmoj mbi jetën e këtij martiri të antikomunizmit.

 

     PYETJE: Kur keni dëgjuar për herë të parë emrin e Hysen Shoshorit?

     A.HOXHA: Nuk e kujtoj me datë të saktë, por mbaj mend mirë personat me të cilët po bisedoja dhe tavolinën ku isha ulur. Një grup ish të burgosurish politik më ftuan të pija një kafe me ta. Më "i riu" prej tyre ishte në moshë dy herë më i madh nga unë. Mes ish të burgosurve të diktaturës që më ftuan mbaj mend Gjergj Ndrecën, Fatmir Lamajn dhe Nuredin Skraparin, ky i fundit një ish-inxhinier nafte, i dënuar për sabotim në vitin 1975, pothuaj në të njëjtën kohë kur është dënuar dhe Hysen Shoshori. Ata kishin ndjekur emisionin tim dhe kërkonin ti ndihmoja për të publikuar disa shqetësime të tyre në lidhje me mënyrën se si tallej shteti shqiptar me hallet e ish të burgosurve politik. Midis të tjerash në atë bisedë është përmendur edhe rasti Shoshori. Mua më tërhoqi vëmendjen historia e tij dhe u kërkova të më ndihmonin për ta publikuar atë që kishte ndodhur. Me mirësinë që i karakterizon zakonisht njerëz të tillë, të cilët jeta i ka përplasur pa mëshirë më premtuan që do të më ndihmonin.

 

Komunisti Sali Berisha me familjen e Enver Hoxhës.

 

     PYETJE: Çfarë ka ndodhur realisht me atë njeri?

     A.HOXHA: Fillimisht unë mblodha të gjitha shkrimet që ishin botuar për Shoshorin në media. Më pas me ndihmën e ish të dënuarve politikë, kontaktova me disa shokë të Hysenit, me të cilët ai kishte ndarë vuajtjet e burgut. Mes tyre më tërhoqi vëmendjen Skënder Tufa, një mik i Hysenit, me të cilin ai kishte qëndruar në burgun e Spaçit dhe atë të Sarandës deri në momentin që u lirua më 17 mars 1991. Skënder Tufa kishte pësuar të njëjtin fat si Hyseni, për të vetmit fakt, kishte guxuar të publikonte në një gazetë periodike pikërisht dëshminë rrëqethëse të shokut të tij të burgut. Në dhjetor të vitit 2002 Tufa botoi në gazetën me emrin sinjifikativ "Plaga", intervistën e Shoshorit. Kaq kishte mjaftuar që edhe Tufa të vihej në qendër të sulmeve nga njerëz që qëndronin pas njeriut të akuzuar prej Hysen Shoshorit, Sali Berishës. Sapo Berisha u rikthye në pushtet në korrik të vitit 2005, Skënder Tufës iu rezervua një fat tragjik për t'ia mbyllur gojën dhe për ta detyruar të heshte. Ndaj tij u inskenua një aksion policor, me një akuzë të sajuar pikërisht nga njerëzit e kryeministrit në radhët e policisë. Pas 10 viteve burg në regjimin komunist të Enver Hoxhës, Skënder Tufa përfundoi serish në qeli, këtë radhë për më shumë se katër vjet në qelitë e burgut të Shën Kollit. Sapo ai u vendos në këtë burg, një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit shkoi ta takonte duke i kujtuar pikërisht dëshminë e Hysen Shoshorit. Nga ai moment Tufës iu rezervua një "trajtim special" nga autoritetet e burgut deri ditën që u lirua. Kur doli nga burgu, Tufa nuk kishte çfarë të humbiste më, veç jetës. Ai kontaktoi me mua dhe unë pranova që ta hulumtoja historinë e tij, e cila ishte thjeshtë një pasojë e dëshmisë që nuk duhej publikuar kurrë të Hysen Shoshorit. Por sigurisht këto janë detaje që emisioni "Xhungël" do ti zbardh në vijim të historisë "Dëshmitari". 

 

     PYETJE: Cili është roli i kryeministrit aktual Sali Berisha në dënimin e tij?

     A.HOXHA: Unë nuk mund të them më shumë nga çfarë ka thënë me gojën e vet Hysen Shoshori. E kisha dëgjuar disa herë dëshminë e tij të citohej në parlament nga deputetë të opozitës së majtë, e kisha lexuar në gazetë, por gjithnjë kryeministri dhe anturazhi i tij mediatik, ia dilnin mbanë që të mohonin këtë akuzë. Ata thoshin se gjithçka ishte një trillim dhe një sajesë dashakeqe nga mbeturinat e Sigurimit të Shtetit dhe të regjimit komunist që synonte të baltoste pikërisht atë që e përmbysi regjimin e urryer. Ata kërkonin prova bindëse dhe të pakundër -shtueshme. Makineria propagandistike e kryeministrit arriti deri aty, sa kur çështja u ngrit në parlament nga opozita, publikoi një intervistë të djalit të vetëm të Hysen Shoshorit, i cili deklaronte se babai i tij nuk e kishte akuzuar kurrë Berishën dhe se gjithçka ishte një sajesë për përfitime politike. Pavarësisht hulumtimeve që kisha bërë dhe informacionit që mblodha, gjithnjë dyshoja se historinë do të ma kundërshtonin nëse nuk kisha pamje filmike. Rrezikoja të përfundoja njëlloj si botimet në median e shkruar nëse nuk publikoja me pamje filmike, me zë dhe me figurë dëshminë e Hysen Shoshorit! Për fat të mirë, pas shumë përpjekjesh, arrita që ta shtie në dorë intervistën e filmuar, sigurisht duke marrë të gjitha përgjegjësitë për publikimin e saj.

 

     PYETJE: A keni pasur presioni për botimin e saj?

     A.HOXHA: Sigurisht që kam pasur. Jo më kot puna me këtë histori ka zgjatur për vite me radhë. Madje në një moment humba dhe besimin e atyre që më kishin ndihmuar, që kishin pranuar të flisnin para kamerës me zë dhe figurë, duke rrezikuar jetën e tyre. Mjafton të përmend faktin që personat të cilët më ndihmuan të ndërtoja këtë histori, i kam telefonuar vetëm 24 orë pasi u transmetua në NEWS’24 emisioni "Xhungël" me titullin "Dëshmitari". Edhe ata janë habitur pasi në të vërtetë nuk e prisnin që kjo video-dëshmi të publikohej një ditë.

 

                                                                                                © Pashtriku.org, 10. 04. 2011

 

 

 

S k a n d a l o z e

 

 

 

Rrëfimi rrënqethës i të dënuarit me vdekje - Hysen Shoshori

 

S A L I  B E R I SH A

KA NDIKUAR NË DËNIMIN TIM ME VDEKJE!

 

 

Kush është Hysen Sheshori

 

 

 

     Hysen Sheshori ka lindur më 15 maj 1934 në Prezë të Tiranës. U arrestua më 29 gusht 1974, me akuzën "agjitacion dhe propagandë". Pasi bëri një vit në hetuesi, në vitin 1975 iu bë gjyqi. E dënuan me pushkatim, pastaj Gjykata e Lartë vendosi 25 vjet burg. Pjesën më të madhe të dënimit e ka bërë në burgun e Spaçit, ndërsa vitin e fundit e ka bërë në burgun Shën Vasil në Sarandë. Hysen Sheshori u akuzua se shpërndante trakte kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe se këtë veprimtari e ka kryer për 13 vjet rresht (1961 - 1974). Sigurimi i Shtetit e ndiqte, por arriti ta zbulojë vetëm pas 13 vjetësh me trakt në dorë. Për gjithë kohën e diktaturës, ai ka shpërndarë 41. 100 trakte. Në momentin që është arrestuar është mbajtur i lidhur këmbë e duar për 24 orë. Pastaj ndaj tij kanë nisur torturat më çnjerëzore. Pas burgosjes së Hysen Sheshorit, familja e tij u internua në fshatin e thellë, Mustafa Koçaj, të zonës së Baldushkut. Dy fëmijët e vegjël dhe nëna e tyre jetonin në një kasolle në kushte tepër çnjerëzore dhe survejoheshin nga Sigurimi famëkeq i Shtetit… (Pashtriku.org, 05. 04. 20011)

 

 

Sali Berisha:

“Ky njeri që është marrë me këto trakte të varet në litar”!

 

     „Njeriu që ka ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha“. Ky është vetëm një pasash i shkëputur nga dëshmia rrënqethëse të dënuarit politik, Hysen Shoshori, e transmetuar për herë të parë me pamje video gjatë emisionit investigativ "Xhungël" në NEWS’24. I cilësuar si antikomunisti më i vendosur në gjithë vendet e lindjes, i cili për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm plot 41100 trakte ku bëhej thirrje për rrëzimin e rregjimit komunist të Enver Hoxhës. I arrestuar gjatë operacionit të Sigurimit të Shtetit, të koduar me emrin "Kafka", Hysen Shoshori, iu nënshtrua një hetimi special për më shumë se gjashtë muaj duke u mbyllur disa herë i gjallë në një arkivol nga hetuesit e sigurimit. Rrëfimi tronditës i Hysen Shoshorit është një dëshmi e qartë se si transformoheshin intelektualët gjatë rregjimit komunist dhe njëkohësisht është një akuzë e drejtpërdrejtë për kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili për 20 vite me radhë ka luajtuar fortë me kartën e antikomunistit. Më poshtë po botojmë të plotë intervistën e publikuar në emisionin "Xhungël", të realizuar me Hysen Shoshorin nga bashkëvuajtësi i tij i burgut, Skënder Tufa në vitin 2002.

 

 

 

Shikoni: dëshminë e Hysen Shoshorit

 

 

     NEWS’24: Cili ishte motivi që ju shtyu t'i kundërviheshit regjimit duke vendosur trakte?

     H.SHOSHORI: Ishte cënimi i pronës private, që për mua ishte shumë e shenjtë. Sepse ishte e lidhur me dinjitetin tim dhe me qenien time. Ishte arsyeja kryesore që më detyroi të bëj këtë veprim, duke iu përgjigjur në këtë formë. Ajo pronë e vogël ishte për mua atdheu im, të cilin ma mohuan.

 

     NEWS’24: Z. Hysen, çfarë përmbajtje kishin traktet tuaja dhe, a kishin ndonjë shenjë dalluese ato?

     H.SHOSHORI: Ky aktiviteti im zgjati 13 vite, nga viti 1961 deri në vitin 1974, për këtë periudhë janë dokumentuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, që më vonë më detyruan në gjyq, duke përfshirë dhe nëntë copët e fundit të trakteve që më kapën. Në momentin e arrestimit, traktet plotësonin shifrën e përgjithshme, 41100 copë. Ishte një kohë e përzier me urrejtje, e cila më shtyu që ta shpreh atë me ngjitjen e parullave, nga e cila ndjeva një farë sadisfaksioni personal edhe për shumë viktima të tjera, duke i bërë thirrje asaj pjese të pastër të popullit shqiptar për një luftë kundër partisë shtet, sundimtarëve e kriminelëve të pashoq në historinë botërore, që ashtu si mbi mua po shkelnin mbi dinjitetin e njerëzve të ndershëm. Tekstet kanë qenë të shumëllojshëm, por përmbajtja ka qenë e njëjtë dhe qëllimi im kishte një pikësynim, mbrojtjen e dinjitetit dhe të ndershmërisë.

 

     NEWS’24: Nga dallonin traktet tuaja nga ato që mund të kenë hedhur persona të tjerë?

     H.SHOSHORI: Traktatet e mia kishin një shenjë në fund të tyre, që ishte një kafkë njeriu, e cila personifikonte sistemin shoqëror dhe për sebep të kësaj shenje, operacioni i kapjes sime, që zgjati 13 vjet, u quajt "Kafka". Frika që dominonte te të gjithë nuk i linte ta lexonin deri në fund traktin. Shumë nga këto që i kishin lexuar traktet e mia për mungesë vigjilence përfunduan nëpër burgje dhe më akuzonin mua për fatkeqësinë e tyre. Ndërsa në arenën ndërkombëtare, në ato pak mundësi që kishin për informacionin, unë personalisht kam dëgjuar më 1962 te Radio Moska që të thuhet “filloi edhe në Tiranë të shkrihet akulli”. Për gjithë periudhën 13 vjeçare, aktiviteti im, është komentuar në disa radio të huaja në gjuhën shqipe.

 

     NEWS’24: Çfarë ndikimi kishin traktet në publik?

     H.SHOSHORI: Atëherë e kuptova se puna ime e drejtë kishte qëlluar në shenjë, prandaj i thashë vetes, „puno më shumë mor Cen se e vërteta sa do që të mbulohet, të shpon sytë“. Duke filluar nga viti 1962, Tirana zyrtare rriti vigjilencën në survejim, ku u manifestua në tre pika kryesore: duke shfrytëzuar pemët e rrugëve të Tiranës, duke u marrë shumë qytetarëve në dispozicion dhomat që kishin sheshpamje si dhe në muret rrethuese të oborreve të shtëpive u hoqën një tullë për vrojtim. Aty survejoheshin nga brenda mureve njerëz të popullit.

 

     NEWS’24: Çfarë strategjie keni ndjekur për të mos u kapur nga Sigurimi i Shtetit?

     H.SHOSHORI: Kam pas ndjek një strategji të tillë, nuk i vendosja traktet dy herë në një vend. I kontrolloja nga larg, por herën e fundit i kishin hequr shumë shpejt. Vrojtova me inat, i vendosa përsëri ku i kisha vendosur. Kjo më kushtoi shumë shtrenjtë. Ishte gusht i vitit 1974, kur sapo e vendosa fletushkën e fundit papritur më janë hedhur dhjetëra vetë që me sa duket më ndiqnin dhe më godasin. Më rrëzojnë përtokë duke më hipur në kurriz. Të eksituar aq shumë nga gëzimi dhe urrejtja që kishin për mua, qëllonin edhe njëri-tjetrin, duke kujtuar se isha unë.

  

     NEWS’24: Çfarë ndodhi me ju më pas?

     H.SHOSHORI:  Nuk e di sa çfarë ka ndodhur më tej, vetëm se e kam parë veten të lidhur në bodrumet e Ministrisë së Brendëshme, ku mes shumë të tjerëve më vizitoi edhe Kadri Hazbiu, i cili më pyeti “ti je shpërndarësi, apo organizatori”? Unë i përgjigjem, se “jam dhe shpërndarësi dhe organizatori” dhe fill pas këtij detaji dëgjoj një zë që thotë “duhet çuar në spital, mbaj përgjegjësi për jetën e tij”.  Në 6 muaj kam provuar torturat nga më çnjerëzoret, që nuk dua t'i përmend. Por po sjell vetëm një fakt. Më kishin vënë disa herë të mbyllur në arkivol.

 

     NEWS’24: Si u zhvillua gjyqi dhe ai i mbani mend dëshmitarët?

     H.SHOSHORI: Unë në atë sallë gjyqi, të mbushur me popull, fiksova një fytyrë që m'u ngulit në mendjen time. Po priste mes këtij populli duke thënë “ky njeri që është marrë me këto trakte të varet në litar”, dhe në këtë moment nxori një trakt duke ia tundur kryegjykatësit.

 

     NEWS’24: Çfarë bëri ky dëshmitar nëse ju kujtohet?

     H.SHOSHORI: Ky njeri që priste pranë këtij populli, nxori traktin nga xhepi dhe duke iu drejtuar kryetarit të gjykatës, “të varet në litar, që u mor me këto”, duke e tundur para popullit dhe sytë e kryetarit të gjykatës. Më habiti se viti që po u gjykoja ishte viti 1975. Kurse trakti që ky e kishte hequr mënjanë, dhe unë mendoja se mund ta kishte gjetur kur e kisha vendosur në fakultetin mjekësor, mund ta kishte gjetur vite më përpara se sa viti që po gjykohesha.

 

 

     NEWS’24: I kujt viti ishte trakti?

     H.SHOSHORI: Ky trakt, duhet të ishte i vitit 1962, sepse m'u kujtua koha që e kisha vendosur në fakultetin mjekësor. Tha “dëgjo, populli kërkon varje në litar, por prapë se prapë partia do të mendojë për ty”.

 

     NEWS’24: Çfarë dënimi iu dha gjykata?

     H.SHOSHORI: Me vdekje.

 

     NEWS’24: Më vonë si ndodhi që nuk u ekzekutuat?

     H.SHOSHORI: Pas 47 ditëve që prisja ekzekutimin më erdhi falja. Më lanë 25 vite burg. Nga këto unë bëra vetëm 17 vite burgim, pasi më 17 mars 1991 u lirova.

 

     NEWS’24: Po kush ishte ky njeri që dëshmoi kundër jush?

     H.SHOSHORI: Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për me arrit në majat më të larta të hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha.

 

     NEWS’24: A jeni i sigurtë z.Hysen?

     H.SHOSHORI: M'u kujtua që ky emër, ishte i asaj fizionomie që thoshte për mua “të varet në litar”. Unë mund t'ju them që asnjëherë nuk mund të harrohet bisha që të kafshon.

 

     NEWS’24: Si po e kaloni jetën pas daljes nga burgu?

     H.SHOSHORI: Jeta ime që po e bëj është një burg në ambient të hapur, sepse jam i pastrehë nga që streha ime ishte atdheu im. Ajo m'u grabit. Në këtë moshë për strehë kam bordurat e rrugëve.

 

     NEWS’24: Kush ju ka ndihmuar?

     H.SHOSHORI: Një e mirë që i ndodh kësaj jetës sime, po i bëhet nga një bashkëvuajtës që më ka marrë për të kaluar natën, një pjesë tjetër të ditës e kaloj në bibliotekë, por një e keqe tjetër që po i ndodh moshës sime është se po dremis gjumin nëpër bordurat e rrugëve.

 

     NEWS’24: Me çfarë të ardhurash jetoni?

     H.SHOSHORI: Burimi i jetesës sime, duke qenë i vetëm, që është një nga fatkeqësitë më të mëdha të jetës sime, qenka vetmia. Burimi i jetesës është vetëm një pension qesharak prej 60 mijë lekësh. Unë i them vetes sepse shihesh i gjallë nga të tjerët, nuk do të thotë se po jeton.

 

( Artan Hoxha - 04. 04. 2011, nga emisioni investigativ “Xhungël” në News’24 )

 

 

 

R e a g i m e

 

 

KURT KOLA:

BERISHA E KEQJA E TË GJITHË SHQIPTARËVE

 

 

 

     Duke iu referuar emisionit Xhungël të gazetarit Artan Hoxha, ku rrëfehet i burgosuri politik Hysen Shoshori, i cili akuzon kryeministrin Sali Berisha, si të përfshirë në gjyqe politike, reagon kreu i shoqatës së të Përndjekurve Kurt Kola. K.Kola sot në një prononcim për mediat deklaroi, se është e patolerueshme që një njeri si Sali Berisha, dëshmitar në gjyqe politike të vazhdojë të udhëheqë Shqipërinë. Ai sipas Kolës, është e keqja e gjithë shqiptarëve. “Sot populli shqiptar u njoh me një lajm shumë tronditës, sot mësoi se kryeministri që qeveris vendin ka qenë një agjent i sigurimit të shtetit dhe ka dalë dëshmitar, ka kërkuar dënim me varje për një të burgosur politik, për Hysen Shoshorin. U publikua qartë morali i atij që udhëheq Shqipërinë. Një person i tillë që ka dalë dëshmitar i një të burgosuri politik, që 10 vjet rresht ka vënë trakte në Tiranë kundra atij sistemi dhe ka kërkuar dënimin me varje në Sheshin Skënderbeu, e kemi kryeministrin tonë. Është e pamoralshme për cdo shqiptar që të votojë sot Sali Berishën për të qenë në drejtim të vendit. Ai është e keqja jo e Hysen Shoshorit, jo e të përndjekurve politikë, por është e keqja e shqiptarëve”, ka deklaruar Kurt Kola.(Pashtriku.org, 05. 04. 2011)

 

 

TË VARET NË LITAR…!

 

 

Shkruan: Mustafa Nano

 

 

     Ndoqa mbrëmë në News 24 programin Xhungël të Artan Hoxhës. Transmetuan një intervistë të gjatë me Hysen Shoshorin, një i përndjekur nga diktatura komuniste. Ai rrëfente jetën e vet, më saktë ferrin e vet, por nuk ishte kjo arsyeja që atij i kushtohej një hapësirë e vëmendje kaq e madhe gazetareske. Arsyeja ishte tjetër. Në një moment të intervistës ai nxjerr në shesh të vërtetën e madhe të jetës së vet. Në gjyqin që i është bërë andej nga viti 1975 nën akuzën se kish prodhuar e shpërndarë trakte kundër regjimit komunist (komunistët s'e kishin për gjë edhe të sajonin akuza atë mot, ndërsa në këtë rast ata nuk sajuan: Shoshorin po e dënonin për gjëra që ai praktikisht i kish bërë; Shoshori ishte antikomunist), i është fanepsur një dëshmitar i veçantë. I është fanepsur atje, në sallën e gjyqit, me një trakt në dorë, duke u ngritur nga fundi i sallës pa ia kërkuar ndokush, e duke u drejtuar nga kryetari i trupit gjykues me fjalët "të varet në litar". Tundte në ajër traktin, të cilin e kish gjetur në rrugë. Ishte shtatlartë, me gjestikulacion të prerë, me hap të madh, militant i zellshëm partie. "Ishte Sali Ram Berisha", thotë Hysen Shoshori. "Jeni i sigurtë?", pyet gazetari (çdo gazetar do ta bënte këtë pyetje, pasi zotni Shoshori është duke folur për antikomunistin më dënglaxhi e më zhurmëmadh të Europës). Dhe përgjigja e tij ishte: nuk mund të harrohet kurrë bisha që të kafshon. Ka të drejtë. E përveç kësaj, tiparet fiziognomike të Berishës nuk janë nga ato që harrohen. Atë mund ta shohësh për herë të parë edhe në një superstore, e prapë nuk mund ta harrosh; e jo më ta shohësh, teksa mbin nga fundi i sallës së gjyqit tënd, duke çarë turmën mes për mes, e duke bërtitur "të varet në litar". Vetëm varri të bën ta harrosh një skenë të tillë.

     Pak më sipër thashë se "çfarë rrëfen Shoshori është e vërteta e madhe e jetës së vet". Nuk ka qënë kështu qysh në fillim. Kjo bëhet e vërteta e madhe e jetës së tij në momentin që ai merr vesh se pikërisht kjo zgjyrë bolshevike merr poza antibolshevike; madje, më shumë se sa kaq; shumë më shumë: bëhet udhëheqësi i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Deri në këtë moment pra (në vitin 1991, kur Shoshori sheh në tribuna atë portret, që e kish parë në sallën e gjyqit të tij), Sali Berisha nuk ka qënë asgjë më shumë se një çapaçul, që ka dalë të dëshmojë vullnetarisht kundër dikujt o i nxitur prej një fanatizmi ideologjik, o i nxitur nga synimi për të nxjerrë përfitime në terma të statusit, të karrierës, të aksesit te nomenklatura, etj. Ka patur mijra dëshmitarë në gjyqet komuniste, dhe ky që bërtiste në mes të sallës "të varet", ka qënë një qelbësirë si gjithë të tjerët. Kaq. Por kur e ka parë nëpër tribuna duke bërtitur kundër komunizmit, kjo ngjarje e jetës së tij merr përmasa të tjera. E përfytyroni dot se ç'mund të provonit po të ishit në vend të Shoshorit e të shihnit një portret të urryer të merrte pozat e "udhëheqësit të madh"? Unë vetë nuk kam fuqi ta përfytyroj. Do kisha lajthitur sikur ngjarja e Shoshorit të ish ngjarja ime. 

     "Prit!", mund të më thonë, "pse u dashka besuar kaq lehtë? Ky mund të jetë një paranojak. Edhe vetë i biri indinjohet për këto që thotë i ati". Në fakt, i biri i Hysen Shoshorit ka folur për RD-në në vitin 2007. Hm, kjo dëshmia e të birit bie erë shumë; më mbush mendjen bash për të kundërtën. Nuk ka thënë asgjë në RD. Ka thënë thjesht që i ati nuk i ka folur me gojë pas daljes nga burgu, as atij, as nënës së vet, pasi këta nuk i kanë shkuar asnjëherë në burg për ta vizituar. E pas kësaj ka thënë, se "është i indinjuar me spekullimet që bëhen" (e bukur, apo jo? Saliu jo vetëm të del dëshmitar në një gjyq, por të nxjerr dëshmitar dhe djalin në një gjyq tjetër, në atë të opinionit publik).

     E dini?

     Mund të jap dhe unë një dëshmi personale, e cila nuk është se shton ndonjë gjë në këtë mes. Por është një dëshmi, që tregon diçka tjetër. Para pesë a gjashtë vitesh kërkoi t'më takojë një miku im, i cili ka bërë burg, gjithashtu, gjatë kohëve të komunizmit (E kanë dënuar për motive politike. Sot është person i njohur për publikun, por nuk ka dëshirë që t'ia përmend emrin). Takohemi, dhe e pashë disi të shock-uar. Më thotë se "është një zotni me emrin Hysen Shoshori, është ish-i përndjekur, pretendon se Sali Berisha ka dëshmuar në gjyq kundër tij, dhe don të të takojë; më saktë, don ta denoncojë këtë fakt, e për këtë arsye duhet një foltore mediatike.

     E ndihmon dot?".

     "Është e vërtetë që Sala ka dëshmuar në gjyqin e tij?", e pyeta.

     "Këtë nuk e di", më thotë,

     "po çfarë s'bën vaki në këtë vend!?".

     "Është njeri serioz dhe i besueshëm?

     Nuk është se është kapur nga haluçinacionet, apo jo?", vijoj ta pyes.

     "Jo, jo, është fare në rregull. Puna është nëse ti e ndihmon dot, apo jo, që këtë gjë ta thotë në një gazetë apo televizion të rëndësishëm".

     "Besoj se po", i them.

     Bisedova me do kryeredaktorë gazetash, dhe përgjigja që merrja ishte:

     "pse merresh me një njeri të lodhur e të dërrmuar nga burgu, o Muç?"

     E çuditshme, s'ke ç'thua! Gazetat tona që s'lënë idiotësi pa publikuar, këtë scoop nuk donin ta merrnin. Dhe refuzimi i tyre (fola me dy-tre vetë, jo më shumë) nuk kish të bënte me "besueshmërinë zero" të Shoshorit, të cilin nuk e njihnin fare; jo, jo, kish të bënte ose me besimin se Berisha nuk mund të bënte gjëra të tilla (kjo ka pak gjasa), ose me frikën se mund t'i gjente ndonjë gjë po ta botonin këtë denoncim. Më pas, mora vesh se scoop-in e kishin pranuar gazetarët e News 24’ës. Unë vetë pata rast ta ndiqja vetëm mbrëmë.

     E dini dhe një gjë tjetër?

     Thonë se dikush ka të filmuar ca dëshmi të tjera të njerëzve të tjerë kundër Berishës. Janë dëshmi që ua kanë marrë me kamera të fshehta atyre "qyqarëve", të cilët e padisin kryeministrin tonë "antikomunist", se ka luajtur rol në deportimin e familjes së tyre. Nuk e transmetojnë. Është një filmim që e kanë bërë fshehtas. Njerëzit kanë dëshmuar pa e ditur se po filmohehsin, dhe transmetimi do të krijonte një problem në pikëpamje deontologjike. Por nuk e transmetojnë edhe nga frika prej "bishës që të kafshon".

     Unë i besoj këto që thonë për Berishën. E besoj që ka qënë një denonciator njëzet qindarkësh e një komunist i shpifur. Por besimi im nuk është provë. Provë është kjo që thotë Hysen Shoshori. Prova janë ato që dinë plot të tjerë, e nuk flasin. Unë di t'ju them një gjë tjetër, amá: Këto që ka bërë Sali Ram Berisha gjatë komunizmit nuk janë asgjë në krahasim me ato që ka bërë gjatë njëzet viteve të fundit. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për gjërat që dihen e duken. Ka shumë krime të tjera, për të cilat tani nuk flitet. Kanë frikë prej tij. Por do të flitet kur Berisha të mos jetë më në këtë botë. Atëherë do të dalë tamam në dritë se kush është Sali Ram Berisha i vërtetë. Deri atëherë nuk është çudi ta kemi kryeministër.

 

 

 

KUR GJYKATA

HYSEN SHOSHORIN E DËNOJ ME VDEKJE?!

 

     Dy vendime autentike të kohës, dy vendime të gjykatave komuniste në vitin 1975 që fillimisht e dënojnë me vdekje dhe pastaj i falin jetën, por i marrin lirinë për 25 vjet rresht. Hysen Shoshori përmes dokumentave që revista MAPO ka siguruar dhe po i boton pa komente. “Shqipëria është në diktaturë, të vritet Hoxha e Shehu”, shkruante që në vitin 1968 Shoshori. Më pas, ditët me kaskë në kokë kur ish-i burgosuri i ndërgjegjes priste ta merrte skuadra e pushkatimit dhe rikthimi në jetë në çastin e fundit. Ishte vetëm 41 vjeç dhe kishte mundur të shpërndante mbi 41 mijë trakte kundër regjimit komunist. Saktësisht, 41 100 të tillë deri në momentin që u arrestua. Historia e pabesueshme e Hysen Shoshorit, antikomunistit të vetmuar që u dënua me vdekje dhe më pas ju fal jeta për ta shtyrë atë në ferrin e burgjeve komuniste, vjen e ndërtuar nga materialet autentike të kohës. Dy vendime të gjykatave komuniste, asaj të rrethit të Tiranës që e dënoi me vdekje dhe më pas edhe të Pleniumit të Gjykatës së Lartë që e dënoi me 25 vjet burg, japin një pamje të zymtë të asaj çfarë ndodhi me një njeri që kundërshtonte komunizmin dhe mbi të gjitha, arrinte deri aty sa bënte thirrje për eliminimin e drejtuesve më të lartë komunistë të kohës, Enver Hoxha e Mehmet Shehu. Vite më pas, vetë Shoshori ka akuzuar se një nga dëshmitarët e shumtë që kanë hapur varrin e tij “legal” ka qenë dhe kryeministri i vendit Sali Berisha, atëherë gjithashtu anëtar i Partisë së Punës. Vetë Berisha e ka mohuar një gjë të tillë, madje ai ka vënë në dyshim deri dhe ekzistencën fizike të akuzatorit të tij të sotëm.

 

 

Revista MAPO afron detaje rrënqethëse nga dy proceset

e shkurt-marsit të vitit 1975, plot 34 vjet më parë.

 

Vendimi i gjykatës së Tiranës, Eshtë tetë faqe. I shkruar me makinë shkrimi dhe i firmosur nga kryetari i trupit gjykues dhe dy ndihmësit e tij. I firmosur dhe nga prokurorja e çështjes dhe sekretari i gjykatës. Të pandehurit janë dy: Hysen Shoshori dhe Ramiz Vladi, i pari i datëlindjes 15 maj 1934, lindur në Prezë e banues në Tiranë, punëtor në uzinën e artilerisë, i martuar me dy fëmijë. I arrestuar në 29 gusht 1974. Bashkëvuajtësit e Shoshorit saktësojnë se ai është arrestuar në krah të ambulancës së madhe në Tiranë, me nëntë trakte në xhep, aty ku ka qenë dikur muzeu i luftës që u prish për t´i lënë vendin kullave nëntëkatëshe. Eshtë arrestuar në flagrancë duke ngjitur traktet e tij në një shtyllë. E survejonin prej ditësh me rradhë. Bashkë me të në proces, viktima tjetër Vladi, bashkëmoshatar me të, gjithashtu punëtor në uzinën e artilerisë, është arrestuar një ditë më pas. Shoshori akuzohej për vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për të mos e mbyllur këtu, i ishte mveshur dhe akuza për vjedhje të pasurisë socialiste. Vladi akuzohej për moskallëzim të krimit. Porkurorja e çështjes kërkoi shpalljen fajtor të Shoshorit për të gjitha veprat penale me të cilat akuzohej dhe dënimin e tij me vdekje, kurse për Vladin pesë vjet burg.

 

Vërejtjet e gjykatës

 

     “Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Shoshori ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës... veprimtarinë e tij armiqësore e ka filluar që nga viti 1967 dhe e ka vazhduar deri në 29 gusht 1974 kur u kap duke shpërndarë fletushka me përmbajtje armiqësore kundër partisë së punës, pushtetit popullor dhe udhëheqësve të shtetit”, shkruhet në vendim. Sipas tij, u provua se Shoshori e ka ndarë mllefin e tij kundër pushtetit dhe me Vladin të cilit i ka thënë: “Populli po vuan, nuk ka liri, ka diktaturë. Ai i ka lavdëruar sistemin kapitalist dhe revizionist dhe i ka thënë se sipas mendimit të tij, duhej ndërhyrja e sovjetikëve për ta shpëtuar popullin shqiptar”. Vendimi saktëson se gjykata ka mundur të mbledhë gjithsej 277 trakte të cilat “kanë përmbajtje nga më të poshtrat dhe shpifje nga më të poshtrat. Kërkohej hapja e kufirit e bëhej thirrje për t´u ngritur kundër pushtetit.” Vetë Shoshori e pranon një gjë të tillë. Sipas tij, ai donte që “populli të bëhej sa më i pakënaqur nga partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve”. Në të njëjtin konkluzion kishte arritur dhe ekspertiza grafike e datës 15 nëntor 1974, që u ishte bërë trakteve; ato rezultonte se ishin shkruar me dorën e Shoshorit. Por deri këtu ishte “konsumuar” krimi i agjitacionit. Më e keqja vinte se Shoshorit 41 vjeçar i ishte vënë tyta e akuzës në ballë: akuza për kryerjen e akteve terroriste. “Në fletushkat e ndara në 22 janar 1968 ka shtyrë persona të tjerë për të kryer vepra terroriste kundër udhëheqësve të partisë dhe pushtetit duke u shprehur se...”Ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësat kryesorë dhe levave të tyre të këshillave të lagjeve, është i lig, është frikacak, është servil”. Megjithatë, me një argumentim krejt të pamendueshëm për kohën, gjykata interpreton ligjin në një mënyrë që edhe sot tingëllon mjaft e fortë. “Kjo akuzë (e prokurorit) nuk bazohet në ligj”, vëren gjykata fillimisht. Sepse sipas saj: “Për të pasur nxitje për të gjitha krimet,... duhet që nxitësi ta drejtojë veoprimtarinë e tij jo në mënyrë abstrakte kundrejt personave të panjohur, por drejt një subjekti konkret me qëllim që të krijojë tek ky determinimin, vendosmërinë e nevojshme për të kryer një krim të caktuar. Duhet që nxitësi jo vetëm të dëshirojë kryerjen e një krimi, por është e nevojshme që me veprimet e tij të bëjë që kjo dëshirë e tij të përqafohet nga një person konkret”. Gjykata citon nenin 12 të Kodit Penal, që kërkonte ekzistencën e marrëveshjes mes bashkëpunëtorëve, kur gjithashtu është e nevojshme të krijohet kontakt mes bashkëpunëtorit dhe nxitësit në krim. “I pandehyri Hysen Shoshori duke mos ju drejtuar personave konkretë nuk ka bërë nxitje, por vetëm ka bërë thirrje për kryerjen e veprave kundër shtetit nga ana e personave të panjohur... në esencë kjo nuk është gjë tjetër veçse shfaqje mendimi për kryerjen e krimeve të tilla”. Duket se të paktën ishte vendosur t´i kursehej jeta, por hetuesia kishte një tjetër “as” të pistë nën mëngë dhe kjo ishte vjedhja e supozuar. Pra, viktima nuk do të dënohej për terrorizëm, çka do të bënte shumë bujë, por për vjedhje për të demonizuar në mënyrë ordinere “armikun e betuar”.

 

 

Akuza mbi akuzë

 

     Ishte normale që në atë kohë, për “armiq” të llojit të Shoshorit, hetuesia ta shoqëronte akuzën politike edhe me ato të kryerjes së krimeve ordinere. Ashtu siç ndodhte rëndom dhe e kundërta; vjedhës përsëritës në një moment të caktuar konsideroheshin dhe si kontigjent politik. Shoshori nuk i shpëtoi kësaj “ligjësie” dhe ai u akuzua për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në masën e 7078.40 lekë. Hetuesit kishin llogaritur deri në qindarka gjithçka dhe i atribuonin të pandehurit deri dhe vjedhjen e 250 gramëve semenca apo 200 gramëve fletë bakri apo dhe 0.15 metra katror meshin. Katër dëshmitarë, Shuaip V, Perlat K., Ismet D. dhe Isak Gj. deklaruan se vjedhjet ishin kryer. Për Vladin nuk kishte shumë histori; ai e dinte që Shoshori ishte armik, por nuk e kishte denoncuar. E dënojnë me dy vjet burg. Vetë i pandehuri kryesor ishte në prag të vdekjes: gjykata vërente se “...me veprimtarinë e tij shumë të theksuar kriminale prej një armiku të tërbuar kundër popullit shqiptar dhe socializmit e ka vënë veten e tij jashtë shoqërisë dhe çmohet se një dënim i zakonshëm nuk mund të ndikojë në edukimin e tij”. Ndaj për këto arsye, vendoset: “Ta deklarojë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës... dhe e dënon me dhjetë vjet heqje lirie. Ta deklarojë fajtor për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste... dhe ta dënojë me vdekje me pushkatim. Ta deklarojë të pafajshëm për krimin e veprës terroriste”. Kundër këtij vendimi kishte vetëm një afat prej pesë ditësh për të bërë ankimim. Nga ky moment Shoshori dërgohet në qelitë e burgut të vjetër, që sot njihet me emrin burgu 313 dhe pret marrjen parasysh apo jo të kërkesës së tij për falje. Pesë ditë në të cilat ai u mbajt i izoluar me kaskë në kokë për të shmangur vetëvrasjen: edhe vdekjen duhet ta jepte skuadra e pushkatimit.

 

Pleniumi i Gjykatës së Lartë

 

     Shoshori ankohet dhe pothuaj një muaj më vonë, në 13 mars 1975 nis procesi i dytë ndaj tij. Ishte ankuar dhe prokurori i çështjes që këmbëngulte se Shoshori duhej të dënohej me vdekje për krimin e terrorizmit dhe jo të akteve të vjedhjes. Aranit Çela, atëherë kryetar i gjykatës së lartë nis procesin dhe në fund të ditës jepet dhe vendimi. Në vërejtjet e pleniumit shënohej fakti se në vitin 1967 Shoshorit i ishte marrë një kopësht që përbënte sipërfaqe të tepërt të truallit të shtëpisë, çka e bëri atë të pakënaqur nga pushteti komunist dhe e futi në rrugën e armiqësisë me të. Ribëhet rishtaz një rezyme e veprimtarisë së tij, pranohet si i drejtë vendimi i gjykatës së Tiranës për veprimtari terroriste të Shoshorit - me një interpretim rishtas të pabesueshëm për kohën të ligjit - dhe shkohet madje edhe më tej. Pleniumi vërente se “...krimi i përvetësimit të pasurisë socialiste është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, por pasojat e rrjedhura prej tij nuk janë të asaj shkalle që për të pandehurin të zbatohej dënimi me vdekje”. Dhe më pas, me 19 firma, gjykatësit vendosin lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, ndërsa për “vjedhjen” Shoshori i shpëtonte plumbit dhe do të dënohej me 15 vjet burg. Gjithsej,... “duke bërë bashkimin e dënimeve, i gjykuari Hysen Shoshori të dënohet me 25 vjet heqje të lirisë”, firmos Aranit Çela. Këtu mbaroi llogaria e Shoshorit me gjykatësit dhe për të nisi kalvari i vuajtjeve në Spaç, Burrel e Sarandë, prej nga ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar në marsin e vitit 1991. Një njeri që sot është 75 vjeç dhe që sipas një njoftimi të ministrisë së drejtësisë, do të marrë 8 milion lekë dëmshpërblim për vitet e burgut. Një jetë e këputur që shtatë vjet më pas, numuronte me gojën e tij, si një nga dëshmitarët kundër tij edhe vetë kryeministrin e sotëm.

( Revista Mapo, Tiranë, Prill 2011 )

 

 

( Përgatiti: Moderatori i www.pashtriku.org, 05. 04. 2011 )

 

 

powered by Beepworld