SHEMBËLLTYRA E J.B.TITOS

NË KËNDVËSHTRIMIN E

IBRAHIM RUGOVËS

 

 

 

Shkruan Sheradin Berisha

 

Klasa politike dhe elita intelektuale e regjimit komunist në Kosovë!

 

     Dihet mirëfilli, se gjatë periudhës së Jugosllavisë së AVNOJ’it (1945 - 1990), rrjedhimisht parimet themelore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të organeve tjera të regjimit, janë ndërtuar mbi bazën e “fryteve të revolucionit jugosllavë, të vëllazërim - bashkimit, e të besnikërisë ndaj Jugosllavisë Socialiste Federative e Vetëqeverisëse të J.B.Titos”. Mbi këto parime është ngritur e ndërtuar i gjithë sistemi politikë e shoqëror edhe në Kosovë. Për më tepër, mbi këtë frymë u brumos edhe një klasë politike shqiptare. Kjo klasë komuniste - titiste që përbëhej nga: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Veli Deva, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Imer Pula, Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e shumë të tjerë, me kohë kishte profilizuar edhe një elitë intelektuale shqiptare, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të organeve të pushtetit, për të dhënë prova lojaliste ndaj doktrinës titiste. Kjo elitë intelektualësh duke qenë anëtarë të devotshëm të LKJ’së, vazhdimisht ka vepruar nën ombrellën e regjimit dhe në këtë kuadër përveç punës “shkencore e mediale” që kryente në institucionet akademike - shkencore dhe në mjetet e informimit publik, ato bartnin edhe funksione politike në këto institucione. Dhe, njëri nga intelektualët elitar të partisë dhe të regjimit komunist në këtë periudhë, padyshim ishte edhe Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti “historik” i Kosovës Ibrahim Rugova.

 

 

Kontrolli mbi mediat..., nga elita intelektuale komuniste!

 

     Pas plenumit të IV të KQ të LKJ’së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, Kosova filloj të frymojë pak më lirshëm dhe nisi të kritikohej ashpër periudha e Rankoviqit (1949 - 1966), mirëpo në vitet 70’të e tutje, klasa komuniste - burokratike e Kosovës ndikoj që ky trend të ndërpritet, me arsyetimin se duhet të harrohen plagët e së kaluarës dhe t’i kthehemi ardhmërisë! Puna e parë që bëri kjo kastë politike ishte vënja nën kontroll e të gjitha mjeteve të informimit publik në Kosovë, përmes kësaj elite intelektuale, e cila në mënyrë servile (si altoparlant)  i shërbente politikës ditore të regjimit titist.

     Atë kohë në Kosovë përveç gazetës “Rilindja” si organ partiak, botoheshin edhe disa revista kulturore, letrare e shkencore në gjuhën shqipe, si: “Gjurmime albanologjike”, “Në flakën e revolucionit”, “Kosova - Kosovo”, “Jeta e re”, “Përparimi”, “Bota e re”, “Dituria”, “Fjala”, “Zëri i rinisë” etj. Nga mesi i viteve 70’të sistemi medial - informativ gjegjësisht tri shtëpitë botuese - informative “Rilindja” shqipe, “Jedinstvo” sebe dhe “Tani” turk si dhe Radio e Televizioni i Prishtinës - RTP, u bashkuan në një institucion të njëzëshëm - integral të quajtur OPGBG - RILINDJA, e cila drejtohet nga Kolegjiumi i përgjithshëm i redaksive. Ky kolegjium i intelektualëve elitarë, përbëhej nga eksponentë të drejtpëdrejtë të strukturave politike të regjimit komunist, dhe kishte për detyrë t’i përpunonte dhe harmonizonte të gjitha kriteret e politikës redaktoriale të kësaj shtëpie të madhe. Ndërkaq, në nivel të gazetave dhe të revistave punonin redaksitë me një kryeredaktor kukull që përfaqësonte opinionin publik të dizajnuar nga lartë!

 

 

     Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe miratimit të Platformës politike të KQ të LKJ’së për Kosovën (nëntor 1981), në mjetet e informimit publik në gjuhën shqipe u aplikua një mobilizim i jashtëzakonshëm. Fillimisht u formuan komisionet e diferencimit ideo - politik, të cilat bënë spastrimin e parë në garniturat udhëheqëse (në RTP, Rilindje e në revsita), pastaj u formuan shtabet e ashtuquajtura të aksionit për agjitacion dhe propagandë (agjitpropi) kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe seperatizmit shqiptar, dhe mbi të gjitha u përcaktuan qartë obligimet e elitës intelektuale dhe të punëtorëve shkencorë - më të njohur të partisë e të pushtetit, që ta mbrojnë e zbatojnë me përpikëri kursin politikë të LKJ’së për Kosovën! Dhe, ky kurs i dëgjueshmërisë intelektuale ndaj regjimit ka vazhduar me oscilime të kohëpaskohshme, gjer në fund të viteve 80’të.

 

Ibrahim Rugova, anëtar i LKJ’së dhe specialist i kritikës letrare

 

Karierën e intelektualit elitar, Ibrahim Rugovës e nis si student në Fakultetin Filozofik të Prishtinës - dega e Albanologjisë. Ai, ndonëse ishte student i dalluar, u shqua edhe si aktivist i zellshëm i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë (LRSJ’së). Pas një kohe, mishërimi i tij me politikën e LKJ’së dhe për më tepër përkushtimi dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit komunist, ka ndikuar që të bëhet anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ’së). Duke qenë student dhe aktivist i dëshmuar i LRSJ’së, Ibrahim Rugovës iu besua detyra e redaktorit në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa pas diplomimit në Fakultetin Filozofik (1971) ishte edhe redaktor i revistës “Dituria” (1971 - 1972). Qysh në fillim të viteve të 70’ta, Ibrahim Rugova u shqua në fushën e kritikës letrare dhe në këtë drejtim ka shkruar disa libra, dhe si  kryevepër e tij vlerësohet libri për Pjetër Bogdanin. Në këtë drejtim, në vitin 1976/77 ai specialiohet në fushën e teorisë letrare në Paris, tek prof. Roland Barthesi.

 

Ibrahim Rugova Sekretar i LKJ’së dhe diferencues

i atyre që përkrahën kërkesën “Kosova Republikë!”

 

     Ibrahim Rugova për afër dy dekada rresht, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë edhe kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Ibrahim Rugova përveç punës shkencore, në IA ka ushtruar edhe një funksion politik-pushtetor, atë të sekretarit të LKJ’së. Duke qenë në krye të kësaj organizate partiake, ai pas demonstratave të mars - prillit 1981 i ka funksionalizuar platformat politike të KQ të LKJ’së për Kosovën. Si rrjedhim, në këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar në Kosovë, Ibrahim Rugova ka pranuar të vihet në krye të komisionit për diferencim ideo - politik. Ky komision është marrë me diferencimin e të gjithë punëtorëve shkencor në IA, të cilët në forma të ndryshme kanë përkrahur apo janë solidarizuar me kërkesën studentore “Kosova Republikë!”, dhe për këtë aktivitet ka shkruar edhe shtypi i kohës: “Rilindja”, ”Jedinstvo”, „Politika“ etj. Kështu, ta zëmë, në gazetën „Rilindja“ të datës 30 shtator 1982 në artikullin me titull „Akademikut dr.Rexhep Qosja iu shqiptua vërejtja partiake“, Kryetari i komisionit për diferencim Ibrahim Rugova në diskutimin e vetë theksoi se „procesi i diferencimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK propozoj që Rexhep Qosjes t'i shqiptohet masa - vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne“.!!

 

 

* * *

      Në biografinë zyrtare të Ibrahim Rugovës thuhet se: “Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës”. Për mënyrën se si janë vrarë babai dhe gjyshi i I.Rugovës kam lexuar edhe shumë versione të tjera, por nëse e marrim si të vërtet dhe të padiskutueshëm këtë version, atëherë natyrshëm shtrohet dilema: Si ishte e mundur që Ibrahim Rugova, (të cilit komunistët jugosllavë të Titos ia kishin vrarë të atin dhe gjyshin si antikomunist), qysh në rininë e tij studentore të përqafojë idetë komuniste përmes aktivitetit të tij në LRSJ’së, dhe më vonë të pranohet si anëtar i LKJ’së, dhe si i tillë t´i gëzonte pastaj të gjitha privilegjet intelektuale, politike etj., po nga ky regjim antishqiptar?! Ndërkaq, nga dëshmitë historike kemi mësuar se, mijëra fëmijë të atdhetarëve shqiptarë, (të cilët u burgosën, u vranë e u persekutuan pas luftës së dytë botërore, nga regjimi i Titos), përveç që u mohohej e drejta e shkollimit, ata edhe përndiqeshin këmba - këmbës nga syri e veshi i UDB’së, ndërsa familjet e tyre bënin jetë të rëndë me etiketimin si “armiq të rrezikshëm të sistemit jugosllavë, të vëllazërim - bashkimit” etj.,etj!!!

 

Shembëlltyra e J.B.Titos në studimet e Ibrahim Rugovës!

 

          Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me përkushtim ka shkruar edhe studime shkencore-letrare kushtuar shëmbëlltyrës së “Marshallit” Josip Broz Tito. Më 9 e 10 dhjetor të vitit 1977, kur në Prishtinë u mbajt simpoziumi me moton: “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, Ibrahim Rugova mbajti referatin kryesor me titull: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”. Në këtë studim “shkencor”, Ibrahim Rugova kryetarin Tito e cilësonte si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit”, dhe sipas tij ai “gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit (Jugosllavisë), çfarë e gëzonte vetëm Lenini”.

     Për më tepër Ibrahim Rugova në këtë studim ndër të tjera thekson se: “Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor”.

     Në vitin 1979 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës të gjitha studimet kushtuar Josip Broz Titos i botoj në një libër voluminoz, me të njejtin emër “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, dhe studimi i Ibrahim Rugovës u botua në faqet 407 - 410 të këtij libri. Ndërsa pas demonstratave të pranverës 1981, ky studim u botua edhe në revistën “Zërin e rinisë” të 16 e 23 majit 1981 në faqet 20-21.

Lexoni të plotë studimin e Ibrahm Rugovës:

 

 

TITO NË LETËRSINË SHQIPE NË JUGOSLLAVI

 

     Nga Ibrahim Rugova

  

     Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse - tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme!

    Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.

     Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të diferencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës - aksionit - veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës. Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet - çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.

     Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale - revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejnë figurën - njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.

     Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të, që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

     Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjifikojnë "Ditari..." i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.

     Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.

     Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, "Ty që je liria jonë", ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.

     Në disa poezi të tjera siç janë "Flamur shekujsh" (Ali Podrimja), Dy ditëlindje (Rrahman Dedaj) dhe Flet Tito (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.

     Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.

     Në vjershën e Mirko Gashi, "Flet Tito", e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.

     E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.

     Në fund, me qëllim që të përforcoj edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik e artistik i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t'i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.

     Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.

 

Prishtinë, Dhjetor 1977

 

 

 

Cila ishte fytyra e vërtet e Titos për shqiptarët?!

 

      Ndërsa Josip Broz Tito, për Ibrahim Rugovën dhe elitën intelektuale titiste të cilës i takonte ai, ishte “simbol i së mirës, i heroit, realizues i plotë i lirisë”..., nuk mund të thuhet (në asnjë mënyrë) se ishte i tillë edhe për popullin e përvuajtur shqiptar, përkundrazi ai ishte përdhunues i lirisë dhe i dinjitetit tonë kombëtar.

 

Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem disa fakteve historike:

 

     Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera etnike (që mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze), u persekutua në format më mizore nga regjimi jugosllav i Titos.

     Tito me shtabin e tij gjakatarë, nga viti 1944 e këndej, ka përndjekur, burgosur, vrarë e ekzekutuar mijëra shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me sundimin e Jugosllavisë së re të AVNOJit dhe si ideal patën bashkimin kombëtar.

     Sipas të dhënave arkivore të atdhetarit Xheladin Hana (i cili më 15.12.1948 vritet mizorisht nga UDBa famëkeqe), rezulton se deri në vitin 1947 OZNa dhe forcat pushtuese ushtarake jugosllave të drejtuar nga J.B.Tito, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë, prej të cilëve 36.000 në Rrafshin e Kosovës; 23.000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 27.000 të tjerë në trevat etnike shqiptare në Maqedoni. Gjatë kësaj periudhe janë kryer 220.000 bastisje në familjet shqiptare (duke i përfshirë këtu edhe bastisjet e përsëritura në të njëjtat familje); Pastaj mbi 200.000 shqiptarë kanë kaluar nëpër duartë e OZNës famkeqe si dhe janë zhvilluar tetë operacione me përmasa të gjera ushtarake të ndihmuar edhe nga  OZNa (më vonë UDBa) dhe të gjitha këto operacione janë kryer, kundër shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve, malazezëve apo maqedonasve.

 

J.B.Tito dhe Aleksander Rankoviqi

     Ishte Tito ai, që në shkurt 1953, në Split të Kroacisë, me ministrin e jashtëm turk Fuad Kyprili, nënshkroi “marrëveshjen gjentelmene” me anë të së cilës ripërtëriu konventën jugoslave - turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi;

     Ishte Tito ai, që për realizimin e kësaj marrëveshjeje antishqiptare ngarkoi ministrin e brendshëm federativ, famëkeqin Aleksandër Rankoviç, ku ky i fundit pastaj themeloi një shtab operativ të përbërë nga oficerë e udbashë të sprovuar kundër shqiptarëve; Dhe ky Shtab i Tito-Rankoviqit duke përdorur të gjitha strukturat shtetërore (në nivelë federativë, republikan e krahinor), në periudhën 1953-1966 i detyroi me dhunë të shpërngulen 452. 371 shqiptarë për në Turqi; Dhe kjo shpërngulje është bërë me këtë dinamikë:

                           Më 1952 ---------------------------- 37.000 veta

                           Më 1953 ---------------------------- 19.300  

                           Më 1954 ---------------------------- 17 500  

                           Më 1955 ---------------------------- 51.000  

                           Më 1956 ---------------------------- 54.000  

                           Më 1957 ---------------------------- 57.710  

                           Më 1958 ---------------------------- 41.300  

                           Më 1959 ---------------------------- 32.000  

                           Më 1960 ---------------------------- 27.980  

                           Më 1961 ---------------------------- 31.600  

                           Më 1962 ---------------------------- 15.910  

                           Më 1963 ---------------------------- 25.720  

                           Më 1964 ---------------------------- 21.530  

                           Më 1965 ---------------------------- 19.821   “...

 

      Ndërkaq gjatë kësaj periudhe kohore me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga trojet etnike shqiptare në Mali të Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) për në SHBA, Kanada, Australi e vende të tjera tejoqeanike,

     Shtabi i Tito-Rankoviqit ishte ai që në dimrin e acartë të vitit 1955/56 shpiku aksionin për mbledhjen e armëve, ku gjatë ekspeditave të policisë - UDBsë, në format më çnjerëzore i rrahu, u keqtrajtoi e i persekutoi mbi 30 mijë shqiptarë. Në këtë operacion kriminal shtetëror UDBa i mbyti me torturë 103 shqiptarë, ndërsa 10 mijë të tjerë u gjymtuan për jetë. Dhe ky aksion famëkeq kishte nisur pikërisht nga fshatrat e trevës së Rugovës, atje ku kishte lindur dhe kaluar një pjesë të rinisë edhe vetë Ibrahim Rugova.

      Josip Broz Tito - ky “simboli i së mirës” të Ibrahim Rugovës, ishte ai që në periudhën 1945-1966 burgosi e dënoi mbi 280 mijë atdhetarë shqiptarë, ndonëse burgosjet e shqiptarëve nuk u ndalën dot deri në vitin 1999. Dhe po t´i referohemi të dhënave policore jugosllave, del se vetëm gjatë viteve 1979-1991 qenë burgosur e keqtrajtuar rreth 900 mijë shqiptarë, prej tyre 750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë të tjerë në Maqedoni, Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj. ... Për më tepër lexoni disa të dhëna: Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve nga regjimi i Titos, gjatë viteve 1948 - 1968

      Kjo është fytyra e vërtetë e Josip Broz Titos, i këtij simboli “të së mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit” të presidentit “historik” Ibrahim Rugova.

 

* * *

 

 

© Pashtriku.org, Janar’2012

 

 

powered by Beepworld