Drejtësia në peshoj!

IBRAHIM KELMENDI:

"KALLËZIM PENAL KUNDËR ISH-KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË

FATOS NANO"

(www.pashtriku.org - 22.06.2007 / 14:45)

Ibrahim Kelmendi  Brühler Str. 1 D  50968 Köln Gjermani

- Për informim edhe medieve shqiptare - 

* * *

  -Prokurorisë se Përgjithshme të Republikës se Shqipërisë, Tiranë,

  -Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë , Tiranë,

Lënda: Kallëzim penal kundër ish Kryeministrit Fatos Nano, shtetas shqiptar, me banim në Tiranë.

  Në pamundësi për të qenë për momentin në Republikën e Shqipërisë;

  Në mungesë të njohjes se ligjeve përkatëse të Republikës se Shqipërisë;

  Duke u mbështetur në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë;

   Bëj kallëzim penal kundër z. Fatos Nano, ish Kryeministër i Republikës se Shqipërisë, për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe për shpërdorim të përgjegjësisë se kryeministrit të Republikës se Shqipërisë, për shkak se në mars të vitit 1998 urdhëroi Drejtorin e përgjithshëm të policisë se Republikës se Shqipërisë, z. Sokol Bare, që të privoj përdhunshëm nga e drejta elementare  për t´u ushqyer (për të ngrënë bukë) rreth 1.400 burra të arratisur nga Republika e Kosovës në Republikën e Shqipërisë.

  Arsyetim:

  1.Në gjysmën e dytë të marsit 1998, kur forcat policore dhe ushtarake serbe sulmuan Krahinën e Dukagjinit në Republikën e Kosovës dhe ndërmorën krime të përmasave të mëdha ndaj popullsisë se atjeshme civile, rreth 1.400 burra të Kosovës brenda një nate u arratisen në Rrethin e Tropojës në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë këta u vendosen në një kullë të zbrazët dhe në livadhet rreth kësaj kulle, ndoshta në Fshatin Viçidol të Rrethit të Tropojës. Këta burra të tmerruar, të lodhur nga udhëtimi i gjatë në këmbë dhe të uritur, sapo arritën ilegalisht në atë vend, u rrethuan nga policia e Bajramcurrit. Kur rrjeti i logjistikës i UÇK-së u përpoq t´i furnizonte me bukë këta të arratisur, të lodhur e të uritur, policia ua ndaloi dhënien e bukës, me shpjegim se ishte dhënë urdhri që me dënim urie të detyroheshin të regjistroheshin si refugjatë lufte dhe të shpërndaheshin nga ai vendstrehim. Meqë gjendja ishte alarmante, nga rrjeti i logjistikës se UÇK-së në Tropojë (konkretisht nga Ilir Konushevci / Mërgimi), u informova përmes telefonit satelitor që të shkoj nga Tirana, ku gjendesha për momentin, për të ndërmjetësuar te policia e Bajramcurrit që të lejonin t?u jepej bukë të arratisurve. Rreth orës 22,00 luta z. Perlat Gojçi (shtetas shqiptar, me banim në Tiranë), që të na voziste mua dhe z. Gafurr Elshani (atëherë anëtar i Kryesisë se LPK-së, tani avokat në Prishtinë) deri në Bajramcurr. Z. Perlat Gojçi na voziti me xhipin e tij (nëpër Qafë të Malit) deri në Bajramcurr dhe atje arritëm rreth orës pesë të mëngjesit. Nga Ilir Konushevci dhe të tjerë veprimtarë të rrjetit të logjistikës se UÇK-së u informuam për gjendjen e llahtarshme të të arratisurve. Gjithashru na informuan për rrethimin e të arratisurve nga policia dhe për bllokimin (konfiskimin) nga policia e dy xhipave (foriostradave) të UÇK-së, të ngarkuar përplot me bukë dhe djathë. Kështu rreth 1.400 burrave të arratisur nga Kosova u privuan nga e drejta elementare për t?u ushqyer dhe tani po vuani nga uria.

  Nga Bajramcurri shkuam të vendstrehimi i rreth 1.400 burrave të arratisur nga Kosova. Atje policia na lejojë të kapërcenim rrethimin policor për t´i takuar të arratisurit, me kusht që me vete të mos kishim bukë për t´ju dhënë të arratisurve, meqë kishin urdhrin për të ndaluar këdo që do përpiqej t?u jepte bukë të arratisurve.

  Kur iu afruam vendstrehimit të te arratisurve pamë gjendje të llahtarshme. Meqë ishte mëngjes i hershëm (rreth orës gjashtë), pamë mbi një mijë veta të shtrirë në livadh, rreth kullës se atyshme, meqë vetëm rreth katërqind veta kishin mundur të strehoheshin brënda në kullë. Bënte ftohtë. Të arratisurit, të shtrirë përtoke nga lodhja, uria e pagjumësia, vetëm se kolliteshin nga ftohja që kishin marrë nga toka dhe nga të ftohtit. Për të përballuar udhëtimin e gjatë e të rrezikshëm, ata nuk ishin të veshur trashë. Ajo pamje ishte vërtetë llahtariste...

  Prej aty u kthyem në Bajramcurr dhe rreth orës tetë të mëngjesit takuam Shefin e policisë, z. Januz Hyka (me sa mbaj mend). Ia përshkruam gjendjen që pamë dhe e lutem që të lironte dy xhipat e konfiskuar, që t´ua dërgonim të arratisurve të uritur e të plevitosur. Ai refuzoi lutjen tonë, me arsyetim se e kishte urdhëruar Drejtori i përgjithshëm i policisë, z. Sokol Bare, që të mos lejonte furnizimin me bukë, në mënyrë që të arratisurit të detyroheshin nga uria që të regjistroheshin si refugjatë. Nga zyra e shefit të policisë në Bajramcurr, përmes telefonit satelitor që dispononte rrjeti i logjistikës i UÇK-së, u lidha me z. Fatos Klosi, atëherë shef i SHIK-ut. Ia paraqita gjendjen dhe e luta për ndihmë. Ai shfaqi habi dhe keqardhje dhe u lidh me z. Hyka për ta lutur që të lejonte t´u shpihej të arratisurve buka e konfiskuar. Por z. Hyka u arsyetua se nuk mund të shkelte urdhrin e eprorit të tij, z. Sokol Bare. Të njëjtën lutje ia bëri disa herë edhe shefi i Degës se SHIK-ut në Tropojë, me arsyetim se ai nuk ishte në dijeni të një urdhri të tillë.

  Sërish shkuam në vendstrehimin e të arratisurve. Luta që të tuboheshin dhe të zgjidhnin tre veta që do të përfaqësonin të arratisurit në komunikim me organet shtetërore të Republikës se Shqipërisë. Në atë moment, me gjithë fuqinë e zërit, mbajta një fjalë rasti, për t?u dhënë shpresë dhe forcë morale për të përballuar urinë dhe të ftohtit.

  Nga mesi i atyre të arratisurve u afrua një burrë trupmadh dhe m?u lut që t?ia mundësoja lidhjen përmes telefonit satelitor me Zyrën (Ambasadën) e Qeverisë se Republikës se Kosovës në Tiranë. Ai u prezantua me emër e mbiemër (që fatkeqësisht ia paskam harruar), me profesion mësues anglishte, nga Fshati Junik, Kryetar i LDK-së për Junikun. Ia mundësova lidhjen me Shefin e Zyrës, z. Ramajli, dhe meqë aparati satelitor kishte parlofon, mundëm të dëgjonin shumë veta bashkëbisedimin e tyre. Personi në fjalë ia paraqiti gjendjen e llahtarshëm z. Ramajli dhe e luti për ndihmë. Ai u përgjigj tepër brutalisht, se nuk ishte kompetent për t?i ndihmuar...

  U zgjodhën tre veta që t´i përfaqësonin ata të arratisur. Policia lejoj që t´i merrnim me vete në Bajramcurr, për të lutur z. Hyka që të lejonte të arratisurit e uritur të ushqeheshin me bukë.

  Gjithë dita na kaloi duke lutur z. Hyka dhe duke komunikuar me Tiranën, por kot. Në mbrëmje, rreth orës 19.00, një polic trupmadh, për të cilin thonin se ishte komandant, duke ndjerë keqardhje për gjendjen e krijuar, më ndau anash dhe më sugjeroi që të merrja z. Hyka dhe të niseshim me te për në Tiranë, me mendim se do provonte të dërgonte natën xhipat me bukë të arratisurve, tashme skajshmërisht të uritur e të plevitosur. Ishte mbrëmja e ditës se tretë të urisë se përdhunshme.

  E luta z. Hyka të udhëtonim për në Tiranë që të shihnim mundësitë nëse do hiqej bllokada e urisë. U arsyetua se nuk kishte me se të udhëtonte. Iu luta që të gjente ndonjërin në Bajramcurr, që kishte xhip dhe që pranonte të na voziste me pagesë për Tiranë. Gjeti njërin që kishte xhip të mirë, me gjasë me emrin Fatmir Arifi.  Ai kërkoi, me sa mbaj mend, 300 USD. U nisem, por z. Hyka nuk harroi t´i merrte me vete çelësat e xhipave të UÇK-së, të ngarkuar me bukë e djathë dhe të bllokuar në oborr të ndërtesës së policisë. Kjo e hidhëroi komandantin e policë, që kishte ndërmend të shpinte bukën natën, kur do udhëtonim z. Hyka dhe unë. Për këtë nisje me telefon satelitor informova z. Fatos Klosi dhe e luta të na priste nga mesnata, bashkë me z. Sokol Bare dhe mundësisht të kontaktonte edhe Kryeministrin Nano për hallin e shkuarjes tonë.

  Në Tiranë arritëm pas orës 12.00 të mesnatës. Z. Klosi na priti në zyrën e tij në selinë qendrore të SHIK-ut në Tiranë. Informoi edhe z. Sokol Bare, i cili pas pak erdhi. Z. Hyka paraqiti gjendjen e rënduar të rreth 1.400 të arratisurve nga Kosova. Z. Klosi dhe z. Bare ishin përpjekur të kontaktonin Kryeministrin Nano, por nuk po ua hapte celularin (siç informuan ata). Biseduam rreth një orë dhe z. Bare arsyetohej se nuk guxonte të shkelte vendimin e eprorit të tij, Kryeministrit Nano. Edhe z. Klosi e luste z. Bare, me shpjegim se ai nuk ishte i informuar për një vendim të tillë. Gjatë bisedave u rrit tensioni dhe z. Bare më bëri me dije se do më arrestonte që aty. Z. Klosi u fjalos, duke i thënë se miku nuk mund të arrestohej në zyrë të tij, pasi do delte besëprerë...

  Nga zyra e z. Klosi, z. Hyka unë dhe shoferi, u nisëm për Bajramcurr. Pronari dhe shoferi i xhipit, kur mësoi hallin dhe gjendjen, nuk pranoi të merrte dollarë as për karburant, me shpjegim se edhe ai do jepte kontribut patriotik për luftën çlirimtare të Kosovës. Po udhëtonim të mërzitur e të mllefosur, meqë nuk kishim mundur të zgjidhnim asgjë.

  Rreth orës 10.00 të ditës se katërt të urisë, z. Hyka urdhëroi policinë të mblidheshin në oborr të ndërtesës se policisë në Bajramcurr. Ai urdhëroi policët të forconin rrethimin e të arratisurve, me shpjegim se ashtu e kishte urdhëruar z. Bare. Me atë rast mora fjalën unë dhe ju drejtova rreth 100 policëve të pranishëm, duke u thirr me patetikë e romantizëm në traditën bujare të malësorëve të Malësisë se Gjakovës (Tropjës) dhe policët reaguan me dorëzim të shërbimit policor (dezertuan). Pas rreth dy orëve, me gjasë i informuar për gjendjen e krijuar, z. Bare dërgoi me helikopter njësitin policor "brisku" (siç e quanin atëherë një polici speciale). Në zyrën e z. Hyka hyri komandanti i atij njësiti dhe pas prezantimit pyeti shefin Hyka se ku mund të gjendej z. Ibrahim Kelmendi. U paraqita, meqë gjendesha në zyrë. Ma komunikoi vendimin për arrestim. Ia ktheva gjithë emocione, se po të ishte shqiptar nuk do më arrestonte. Ai ma ktheu se ishte shqiptar Labërie dhe krenar. Kur u informua se për çfarë behej fjalë, urdhëroi z. Hyka të ia jepte çelësat e xhipava të bllokuar dhe e shpuri bukën tek të arratisurit e uritur për vdekje, duke thyer urdhrin që kishte dhënë Kryemin Nano, përmes Drejtor Sokol Bare...

  Gjykoi se me këtë rast z. Nano, nëse vërtetë e ka urdhëruar z. Bare, ka shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjet përkatëse, pasi edhe robi i luftës dhe krimineli i arrestuar, nuk mund të dënohen me uri, gjegjësisht nuk mund të privohet nga e drejta për t´u ushqyer.

   (Dëshmitarë: Rreth 1.400 të arratisurit e atëhershëm nga Kosova, z. Fatos Klosi / Shef i SHIK-ut në Tiranë, Shefi i Degës se SHIK-ut në Tropojë, të gjithë policët e atëhershëm të Degës se policisë në Bajramcurr, Qerim Kelmendi, Fanol Bardhi dhe dhjetëra të tjerë të sektorit të logjistikës se UÇK-së në Tropojë, z. Sokol Bare / drejtor i përgjithshëm dhe z. Ilir Çano, zv.drejtor i Policisë se Republikës se Shqipërisë, pronari dhe shoferi i xhipit, z. Fatmir Arifi, që na voziti nga Bajramcurri në Tiranë dhe anasjelltas, z. Perlat Gojçi, e të tjerë.).

  2.Në fillim të gushtit 1998 Kryesia e LPK-së (Bedri Islami / Kryetar, Bardhyl Mahmuti / Nënkryetar, Ali Ahmeti / anëtar, Jashar Salihu / anëtar, Agush Buja / anëtar dhe unë, Ibrahim Kelmendi, anëtar) u prit nga Presidenti Rexhep Mejdani. (...) Pasditen e të njëjtës ditë kishim të caktuar pritje edhe nga Kryeministri Nano. Mua në mesditë m´u desh të fluturoj për në Cyrih të Zvicrës. Kryesia kishte marrë vendim të shkarkonte z. Xhavit Haliti / Zekën, të cilin e kishte emëruar me herët si përfaqësues të LPK-së dhe të UÇK-së në Republikën e Shqipërisë, dhe në vend të tij kishte emëruar Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin. Për këtë vendim Kryesia kishte ndërmend të njoftonte Kryeministrin Nano. Meqë nuk munda të merrja pjesë në takim, Kryetari Bedri Islami dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë se LPK-së më informuan, se z. Nano nuk e kishte pranuar shkarkimin e Xhavit Halitit dhe se kishte shfaqur kërcënimin, se po provuam të shkarkonim Xhavit Halitin, do merrte vendim që të bllokonte gjithë sektorin e logjistikës se UÇK-së në Shqipëri. Këtë kërcënim kushtëzues të z. Nano dhe mosdëgjimin e Xhavit Halitit për të respektuar vendimin e Kryesisë i pata kuptuar si lidhje "miqësore" e dy profiterve kryesorë të luftës (z. Nanon dhe z. Haliti). Ky qëndrim mund të kualifikohet si shpërdorim i detyrës nga z. Nano, për përfitime financiare të tij dhe të Xhavit Halitit, meqë ky i fundit "menaxhonte" pjesën më të madhe të financave të UÇK-së...

   (Dëshmitarë: Anëtarët e Kryesisë se LPK-së se atëhershme.)

  3.Lus Kryesinë e Kuvendit të Republikës se Shqipërisë të formoj komision hetimor, për të shqyrtuar përse janë bllokuar hetimet lidhur me atentatin ndaj Ilir Konushevcit-Mërgimi (më 09.05.1998), në rrugën Fushëarrë-Bajramcurr, i cili ishte përgjegjës i Logjistikës së UÇK-së në Republikën e Shqipërisë. Është përfolur se Prokuroria ka mbyllur dosjen me urdhër nga ?lartë?...

  4.Si shtetas shqiptar po i jap vetës të drejtë të denoncoi z. Nano edhe për dezertim nga detyra e Kryeministrit dhe për arratisje të panevojshme nga Republika e Shqipërisë me 14 shator 1998...

   (Dëshmitarë të gjithë ata që dinë e duan të dëshmojnë dhe ata janë me mijëra.)

  5.Po si shqiptar po i jap vetës të drejtë të denoncoj Kryeministrin Nano për martesë me një të dyshuar për spiune të një shërbimi të huaj, me dëshirë që të kontribuoj tani, që kjo Zonjë e dyshuar për spiune, të mos ketë mundësi të behet "Zonjë e parë" e Republikës se Shqipërisë, meqë z. Nano po pretendon të na bëhet president...

   (Dëshmitarë: Z. Fatos Klosi dhe të tjerë të punësuar atëherë në SHIK dhe që duhet t?i dinë provat përkatëse për bashkëshorten e z. Nano.).

  Lus Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucionet Kompetente të hetuesisë dhe të drejtësisë të Republikës se Shqipërisë që të marrin në shqyrtim këtë kallëzimit penal dhe denoncim kundër z. Fatos Nano. Shpreh gatishmëri të vi në Tiranë, nëse organet kompetente parashohin se jam i nevojshëm për të bërë personalisht kallëzim penal e denoncim kundër z. Fatos Nano.

  Me respekt,

  Ibrahim Kelmendi & ibrahim_kelmendi@yahoo.de - (Tel.: 00377 44 151959)

  Më 22 qershor 2007 

-----------------------------

Reagime

Nuk qëndrojnë pohimet e Ibrahim Kelmendit

XHAVIT HALITI, KA QENË NDËR SHTYLLAT MË TË RËNDËSISHME TË ORGANIZIMIT, KONSOLIDIMIT, FURNIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

  (www.pashtriku.org – 04.07.2007 / 22:10)

Reagon: Ramadan AVDIU,

Ish anëtar i Kryesisë së LPK-së në Kosovë nga periudha 1989-1993

***

Përmes postimit elektronik u njoha lidhur me një kallëzim penal kundër ish kryeminsitrit të Shqipërisë z. Fatos Nano nga veprimtari Ibrahim Kelmendi. I njejti tekst që më ishte postuar u botua në gazetën e përditshme Iliria Post të datës 25 Qershor 2007, në  faqe 6.

Me qëllim të sqarimit të opinionit lidhur me shtyllën e dytë të përmbajtjes së “kallzimit penal”, që nuk ka të bëjë me Fatos Nanon, por me të ngarkuarin e LPK-së dhe të UÇK-së për punë në Shqipëri z. Xhavit Haliti, ndjej përgjegjësi morale dhe përgjegjësi ndaj të vërtetës historike, si njëri prej udhëheqësve të LPK-së në periudhën 1989-1993 të bëjë këtë reagim.

Periudha e veprimtarisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës,  veçanërisht nga viti 1989 deri më 1999,  akoma nuk është ndriquar dhe akoma nuk janë hapur arkivat për të nxjerrë të vërtetën e historisë së veprimtarisë së kësaj organizate.  Mbase kjo i ka shërbyer z. Kelmendi që të provojë të vëjë në lajthitje opinionin dhe të konstruktoi të vërtetën e tij për vendimet e LPK-së.

Nga marsi i vitit 1989, LPK-ja përfundimisht nuk është udhëhequr nga dega jashtë vendit por nga organet e zgjedhura në mbledhjen e mbajtur në Divjakë të maleve të Berishës, përkatësisht në mbledhjet e Prapashticës (shkurt 1991), Mbledhjen e Tretë të Përgjitshme (tetor 1991) dhe Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme (korrik 1993). Rrjedhimisht edhe vendimet janë marrë në Kryesinë e LPK-së në Kosovë e jo jashtë vendit.

Një vendim i veçantë është nxjerrë nga Kryesia e LPK-së në vitin 1991, për ngarkimin e anëtarëve Xhavit Haliti dhe Xhavit Haziri,  me detyrë speciale për organzimin e sektorit të veqantë i cili është marrë ekskluzivisht me segmentin e organizimit ushtarak. Vendimi i është dorëzuar personalisht z.Xhavit Haliti dhe është njoftuar Kryesia e degës se LPK-së, jashte vendit, për rolin dhe kompetencat që do t'i ketë z. Xhavit Haliti si drejtues i sektorit, rolin dhe kompetencat e sektorit të vecantë si strukturë dhe procesi i vendimmarrjes brenda tij.

Xhavit Haliti

Pas fushatës së arrestimeve në gusht të vitit 1993 kur një numër i konsideruar i veprimtarëve do të detyrohen të arratisen jashtë Kosovës, do të bartet edhe qendra e vendimarrjes jashtë vendit.

Xhavit Haziri është arrestuar në gusht të vitit 1993 dhe është dënuar me 5 vite burg. Disa muaj pas daljes nga burgu, në shtator të vitit 1998, ai  do të rrëmbehet nga policia pushtuese serbe dhe do të zhduket pa gjurmë. Ai edhe sot rezulton i zhdukur dhe sigurisht se do të dihet edhe roli dhe kontributi i tij i madh në zhvillimin e rezistencës sonë kombëtare...

 Kurse, Xhavit Haliti me përkushtimin më të madh i ka kryer detyrat konform vendimit të marrë më herët dhe asnjëherë nuk është diskutuar e lëre më të jetë inicuar ndonjë procedurë për shkarkimin e tij nga kjo detyrë.

   Sa për të sqaruar, Xhavit Haliti ka qenë në krye të një varg detyrash të cilat kanë pasur të bëjnë me organizatën Brenda Vendit dhe me UÇK-në, për të cilat Ibrahim Kelmendi nuk ka pasur mundësi t´i marrë vesh, për shkak të natyrës tepër konspirative, madje që nga vitit 1989.

   Siç dihet z. Xhavit Haliti – Zeka, ka qenë anëtarë i Kryesisë së LPK-së, Shef i sektorit të Veçantë, anëtar i SHP të UÇK-së dhe i Drejtorisë Politike, anëtar i Delegacionit të Kosovës në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje.

   Prandaj nuk qëndron pohimi i z. Kelmendi se Xhavit Halitin e kishte ngarkuar me detyrë kryesia e LPK-së në vitin 1998-1999, ashtu siç nuk qëndron konstatimi i tij në kallëzzimin penal kundër Fatos Nanos se ka pasur ndonjë vendim për shkarkimin apo zavendësimin e tij.

Z. Xhavit Haliti që nga fillimi deri në fund ka qenë ndër shtyllat më të rëndësishme të organizimit, konsolidimit, furnizimit dhe funksionimit të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës. Emrimi i Ramiz Lladrovcit dhe Halil Selimit nuk është bërë për të zavendësuar Xhavit Halitin por si faktor ndihmës e veçanërisht për menagjimin e mjeteve financiare dhe logjistike në Shqipëri, atëherë kur u shtuan veprimet ushtarake në Kosovë, atëherë kur numri i vullnetarëve për të aderuar në UÇK u shtua shumë dhe kur tashmë UÇK-ja vepronte e konsoliduar.

Ramadan Avdiu

Ish anëtar i Kryesisë së LPK-së në Kosovë nga periudha 1989-1993

 

 Reagim ndaj dokumentit të Ibrahim Kelmendit

 XHAVIT HALITI ISHTE  NJËRI NGA FIGURAT KYÇE TË ORGANIZIMIT TË LUFTËS NË KOSOVË DHE NË MARRËDHËNIET ME SHTETIN SHQIPTAR

(www.pashtriku.org – 30.06.2007 – 08:05)

*** 

Reagon: Ramiz LLADROVCI,

ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së...

 R E A G I M

Lidhur me " Kallëzim penal kundër ish Kryeministrit Fatos Nano, shtetas shqiptar, me banim në Tiranë” të Ibrahim Kelmendit.

Është e drejta e gjithkujt, aq më tepër e njerëzve të njohur në lëvizjet politike, që të ndërmarrë aksione e nisma të tilla, siç ishte ajo e zotit Ibrahim Kelmendi, me kallëzimin penal ndaj Fatos Nanos, ish kryeministër i Shqipërisë.
Mirëpo nuk është e drejtë, që pa u konsultua e marrë mendimin e shokëve të cilët i apostrofon në materialin e tij, të përmendë emrat e tyre dhe të shtrojë çështje, të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk e pasqyrojnë krejt të vërtetën.

Kështu ndodhë edhe me Materialin e paraqitur nga I.Kelmendi dhe të botuar në disa faqe interneti dhe në gazeta të ndryshme, në Kosovë e jashtë saj.
Nuk mund të jem interpret se si ka ndodhë në rastet e tjera që paraqet autori i "Kallëzimit penal", por jam krejt në kundërshtim me atë që paraqet në pikën e dytë të këtij kallëzimi.

Me vendim të veçantë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si anëtar i këtij Këshilli, jam emëruar, së bashku me veprimtarin e njohur Halil Selimi, si të deleguar të organizatës dhe të fondit "Vendlindja Thërret" në Shqipëri.

Detyra jonë ka qenë që, në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të UÇK-së, të bëjmë koordinimin e punëve, ku një rol të veçantë ka luajtur edhe bashkëpunimi me Xhavit Halitin. Misioni jonë është përqëndruar në ato fusha ku kemi pas kompetenca nga organi vendimmarrës dhe në zbatimin e detyrave të strukturave drejtuese të luftës.

Në detyrën e sipërme ne jemi caktuar nga një organ politik, dhe me caktimin tonë nuk është bërë asnjë s’postim ose largim nga detyra të shokëve që kishin punuar prej vitesh dhe kishin qenë të suksesshëm. Spekulimet me të pavërteta, edhe kur bëhen nga mos njohja e saktë e situatave ose nga njohjet e përkohshme, nuk i shërbejnë ngritjes së çështjeve të rëndësishme.

Në periudhën sa kemi ushtruar detyrën në Shqipëri kemi synuar të kthehemi në një qendër të ndërlidhjes mes strukturave të luftës nga jashtë dhe brenda Kosovës, duke pas parasysh realizimin e objektivave të Shtabit të Përgjithshëm, ku rol të veçantë ka luajtur ndihma e dhënë dhe bashkëpunimi me Xhavit Halitin, si njëri nga figurat kyçe të organizimit të luftës në Kosovë dhe në marrëdhëniet me shtetin shqiptar.

Ramiz Lladrovci, ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së,
i deleguar i organizatës dhe i fondit "Vendlindja thërret" në Shqipëri

 Reagim ndaj  gazetës "Iliria Post"

 REAGIMI NË GAZETËN “ILIRIA POST” ËSHTË BËRË PA DIJENINË DHE MIRATIMIN TIM

Reagon: Bedri ISLAMI, publicist

Më 28 qershor 2007

Si më treguan sonte, në mbrëmjen e 28 qershorit 2007, para disa ditësh, një gazetë në Prishtinë,"Iliria Post", e njohur për qëndrimin e saj udbash dhe krejtësisht në vijë të ndryshme me vlerat dhe virtytet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka botuar Reagimin tim, ndaj "Kallzimit Penal" të I.Kelmendit.

Redaksia e gazetës në fjalë e ka bërë botimin e mësipërm pa asnjë lloj marrëveshje me mua, autorin e këtij Reagimi, pa marrë leje dhe pa kërkuar, sipas të gjitha proçedurave, të paktën formalisht, verifikimin e këtij materiali dhe të autorit.

Unë dua të bëj të qartë se në të gjithë veprimtarinë time publicistike, prej më shumë se 35 viteve, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë nuk e kam përlyer emërin tim në botime tek faqet e një shtypi, i cili është përvijuar si antikombëtar dhe antivlerë. Kjo ka qenë dhe mbetet e kundërt me të gjitha bindjet e mia, qofshin ato politike apo nacionale. Botimi i Reagimit tim në këtë të përditshme më fyen thellësisht në dinjitetin tim si gazetar, si njeri i publicistikës dhe në vetitë e mija si qytetar.

Redaksia e gazetës së mësipërme është e mundur që këtë Reagim e ka marrë edhe nga faqet e internetit ku është botuar më parë, qoftë tek ww.pashtriku.org ose tek www.besiana.de, ashtu si është krejt e mundur që njerëz të veçantë, të cilët jo rradhë kanë synuar të përvijojnë diçka jo të mirë tek emëri dhe aktiviteti im, ta kenë bërë me dashje një gjë të tillë.

Sidoqoftë unë jam i detyruar të bëj një Reagim të tillë, për të bërë të qartë të gjithë lexuesit dhe miqtë e mi se botimi i këtij Reagimi në gazetën "Iliria Post" është bërë pa dijeninë dhe miratimin tim, dhe si e tillë, duke qenë e dënueshme nga ana ime, është njëkohsisht edhe një sprovë e hidhur për ato që mund të qëndrojnë pas saj.

Bedri Islami, publicist 28 qershor 2007

Kthehu ne fillim

 -------------------------------------------

Reagim ndaj dokumentit të Ibrahim Kelmendit

XHAVIT HALITI ZYRTARISHT KA QENË NJËRI NGA EMRAT E VEÇANTË TË BASHKËPUNIMIT TONË VENDIMTAR DHE GJITHË BASHKËRENDITJES SË ORGANIZIMIT

  Shkruan:Halil SELIMI, ish-përfaqësues i LPK-së

dhe fondit “Vendlindja Thërret” në Shqipëri 

(www.pashtriku.org – 27.06.2007 / 21:00)

 ***

Reagim në dokumentin e ardhur edhe në adresën time

nga vet autori (Ibrahim Kelmendi)

“Kallëzim penal kundër ish Kryeministrit Fatos Nano, shtetas shqiptar, me banim në Tiranë”, nga Ibrahim Kelmendi, të dt. 22 qershor 2007

Pa dashur të ndërhyj në të drejtën e autorit, qoftë edhe spekulative, dhe lëndën penale për të cilën flitet në këtë dokument, të panjohur për mua si ngjarje që përbën këtë kallëzim, dua të sqaroj vetëm pjesën që ka të bëjë me emrim tim, të apostrofuar në pikën 2, të një sqarimi jokorrekt, paushall dhe mjaft intrigant:

“Kryesia (e LPK-së, plotësimi im) kishte marrë vendim të shkarkonte z. Xhavit Haliti / Zekën, të cilin e kishte emëruar me herët se përfaqësues të LPK-së dhe të UÇK-së në Republikën e Shqipërisë, dhe në vend të tij kishte emëruar Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin.”

Si njëri nga drejtuesit e LPK, në Kosovë, (anëtar i Kryesisë), pas përfundimit të punimeve të Mbledhje së IV të Përgjithshme, i rrezikuar dhe i kërkuar për t’u arrestuar, në gusht të vitit 1993, detyrimisht kalova në territorin e Shqipërisë, ku dhe kam qenë duke jetuar edhe në kohën që bëhet fjalë në këtë dokument (1998), pa qenë i ngarkuar zyrtarisht me funksione drejtuese, deri me këtë rast, pasi që udhëheqja e LPK-së tashmë kishte kaluar në perëndim.

Aktiviteti dhe veprimtaria e organizuar po merrte përmasa të gjithanshme çlirimtare, të një lufte për vdekje a liri, ku Shqipëria kishte rëndësinë kyçe jo vetëm për strehimin, por, veçanërisht, për organizimin dhe mbështetjen logjistike, politike dhe diplomatike të luftës çlirimtare, që po bënte UÇK-ja e lavdishme.

Në këtë kohë kaq të rëndësishme sa dramatike, po aq edhe historike, Këshilli Drejtues i LPK-së, krahas veprimtarëve që operonin asokohe në Shqipëri, na emroi mua (Halil Selimin) dhe Ramiz Lladrovcin si përfaqësues të Organizatës dhe fondit “Vendlindja Thërret” në Shqipëri. E gjithë puna dhe përgjegjësia jonë do të përcaktohej në shërbim të luftës për liri dhe UÇK-së, ku nuk ka munguar bashkëpunimi i gjithanshëm dhe harmonizimi i gjithë veprimtarisë, përkundër disa kundërthënieve kapriçioze që reflektoheshin fillimisht në organizim, jo gjithmonë të përkryer, sigurisht!

Ne kemi qenë pika gravituese për të gjithë, pavarësisht divergjencave të mundshme dhe pa asnjë paragjykim ndasishë, duke bashkuar të gjitha segmentet e veprimtarisë në një qëllim: luftën për çlirim! Dhe, zyra jonë përfaqësuese, me të drejtë është quajtur dhe është bërë shumë shpejt dhe deri në fund të misionit të saj, epiqendra e UÇK-së në Shqipëri.

Që nga fillimi i punës, Zyra jonë nuk ka bërë asnjë veprim pa dijeninë, bashkëpunimin dhe miratimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike të UÇK-së, ku dhe, Xhavit Haliti ka gravituar zyrtarisht dhe ka qenë njëri nga emrat e veçantë të bashkëpunimit tonë vendimtar dhe gjithë bashkërenditjes së organizimit, ku gjithçka është bërë me nivelin më të lartë të përgjegjësisë, edhe në raport me Këshillin Drejtues të LPK-së, deri në përfundimin e luftës dhe fitores së madhe që kemi arritur historikisht.

Halil Selimi

Ish-përgjegjës i Zyrës Përfaqësuese në Shqipëri

 Kthehu ne fillim

 ---------------------------------------------

Reagim ndaj Ibrahim Kelmendit

NUK KA PASUR ASNJË VENDIM PËR LARGIMIN E XHAVIT HALITIT

  Shkruan: Bedri ISLAMI, Kryetar i LPK-së në vitet 1998-1999

(www.pashtriku.org - 24.06.2007 / 23:05)

***

Si shumë të tjerë, u njoha edhe unë, përmes internetit, me kallëzimin penal, që zoti Ibrahim Kelmendi, shtetas i Shqipërisë dhe njëkohësisht veprimtar i hershëm i lëvizjeve ilegale të Kosovës, ka bërë kundër zotit Fatos Nano, ish kryeministër i Shqipërisë. Duke qenë se në nën shtesën e dytë të kallëzimit penal i referohet një ngjarje në të cilën kam qenë jo vetëm i pranishëm, por edhe drejtues i organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës, e ndjej moralisht të detyrueshme të bëj saktësimin e ngjarjes të cilës i referohet miku im Kelmendi.

Nuk e di se si kanë ndodhur ngjarjet në Tropojë, pasi nuk kam qenë atje, vetëm më vonë jam vënë në dijeni të gjendjes së krijuar, të përplasjeve që kanë ndodhur, të cilat mund të sillnin pasoja të pallogaritshme.

Ajo, që është në dinjitetin tim për të bërë të qartë për të gjithë, ka të bëjë me nënpikën e dytë të kallëzimit penal, i cili ka lidhje me Takimin e Kryesisë së atëhershme të LPK-së me kryeministrin, po ashtu të atëhershëm, të shtetit shqiptar, zotin Fatos Nano.

Fatos Klosi, Fatos Nano dhe Kastriot Islami

Në fundin e muajit korrik 1998 unë mora një telefonatë të papritur nga zoti Fatos Klosi, i cili e quante të domosdoshme një takim sa më urgjent për problemet që ishin krijuar në Shqipëri dhe të cilat lidheshin me praninë e strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të logjistikës së saj, grupimeve etj. Pyetjes sime se “kur e dëshironte ai një takim të tillë”, i erdhi përgjigjja “edhe pas një ore”, me shtesën se deri kur të realizohej ky takim, për vetë problemet që kanë lindur, do të ndalohen veprimet e mëtejshme të strukturave të luftës në Shqipëri. Duke parë se problemi ishte më madhor se sa mund të bartej nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe drejtuesi i organizatës, thirra të gjithë shokët e kryesisë që të ishin në Tiranë. Ata ishin: Bardhyl Mahmuti dhe Jashar Salihu, nënkryetarë, Ali Ahmeti, anëtar, Ibrahim Kelmendi, anëtar, Sejdi Gega, anëtar, Agush Buja, anëtar. Bardhyli ishte në të njëjtën kohë anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së, ndërsa Jashari ishte kryetar i Fondit “Vendlindja thërret”. Në të gjitha takimet që u zhvilluan në Tiranë, në sferat më të larta të shtetit, do të ishte i pranishëm edhe Xhavit Haliti, përfaqësuesi ynë në Shqipëri, njëkohësisht anëtar i Drejtorisë Politike dhe i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Besoj se nuk është rasti të flitet për të gjitha takimet që u zhvilluan, bisedat e bëra, kundërshtitë, përdallimet që kishim në probleme të veçanta, përvijimet politike të krijuara. E rëndësishme është të saktësoj Takimin e zhvilluar me zotin Nano, në Kryeministri, me ftesën e posaçme të tij.

Së pari, më duhet të saktësoj se, as në kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe as në Këshillin e Përgjithshëm të saj, nuk është marrë asnjë vendim për largimin e zotit Xhavit Haliti nga detyra si përfaqësues i saj në Shqipëri dhe si drejtues i Sektorit të Veçantë. Pas kthimit tonë nga Shqipëria, pra edhe pas Takimit tonë në Tiranë, në marrëveshje të përbashkët mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së organizatës, është marrë vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, për të dërguar edhe dy shokë të tjerë, për forcimin e gjendjes, si përfaqësues të organizatës dhe të fondit “Vendlindja thërret" në Shqipëri, pasi, sipas mendimit tim, një njeri i vetëm nuk mund t'i përballonte më të gjitha punët, të cilat tashmë ishin shumëfishuar dhe për vetë natyrën e tyre kishin krijuar probleme në lidhjet mes zonave të luftës dhe strukturave të logjistikës në Shqipëri. Pra, dërgimi dhe emërimi aty i Ramiz Lladrovcit dhe Halil Selimit është bërë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, sipas propozimit tim dhe pas konsultimeve që kam pasur me Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin. Mund të saktësoj se puna e tyre ka qenë shumë e frytshme.

 

Xhavit Haliti

Së dyti, nga takimi disa orësh me Nanon, në zyrën e tij, ku ishin edhe pjesëtarë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, disa nga të cilët si Kastriot Islami, ishin të njohur të vjetër të mi, nuk është diskutuar për emërime e shkarkime, sepse ajo nuk ka qenë kompetencë e qeverisë shqiptare dhe nuk kemi pranuar kurrë të futemi në detaje të tilla.

Temat e bisedimeve kanë qenë shumë më të rëndësishme se sa përmasat e një ngjarje të tillë. Ato janë shtrirë që nga përcaktimi i një qendre të vetme koordinative për problemet e logjistikës në Shqipëri, tek problemet e luftës në Maqedoni, mbështetja e shtetit shqiptar në logjistikë, por edhe në diplomacinë botërore, në kërkesat tona për një fuqizim të ndihmës së shtetit shqiptar, mundësinë e lëvizjes së strukturave të luftës të mbështetura nga shteti shqiptar, krijimin e qendrave të stërvitjes, dhe deri tek programi satelitor i RTSH-së, i cili në atë kohë ishte e vetmja dritare televizive dhe informimi, dhe që, për fat të keq, deri në atë kohë, ishte disi ose shumë e mbyllur ndaj strukturave të luftës. Nga ana tjetër, ne ndjenim edhe detyrimin moral për të falënderuar zotin Nano, pasi përmes tij ishte realizuar takimi i parë, shumë i rëndësishëm, mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe zotit Hollbruk, në Krans Montana të Zvicrës. Ai solli njëkohësisht edhe mesazhin e shtetit amerikan se “keni ditur të mbroni në mënyrë të shkëlqyer interesat tuaja kombëtare dhe politike”.

Si është në natyrën e zotit Nano, ai mendoi që gjithë takimin ta kthente fillimisht në një bisedë miqësore, ku të informohej dhe të informoheshim, por të mos kalohej në përcaktime konkrete. Më pas, vetë biseda u zhvillua e tillë, saqë do të kishte të domosdoshme edhe përcaktimin e vendimeve konkrete. Mes të tjerave, në bisedën e zhvilluar, na është kërkuar nga zoti Nano emërimi i një strukture në Tiranë, që të ishte fuqiplotë për të vendosur në emër të UÇK-së dhe të LPK-së, sepse shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, po flitnin në emër të tyre dhe gjithsecili po e paraqiste grupin tjetër si të lidhur me gjithfarë agjenturash të huaja. Një gjë e tillë ishte e papranueshme për shtetin shqiptar dhe kjo ishte më se e kuptueshme. Pra, shefi i qeverisë shqiptare, sipas kërkesës së Fatos Klosit, të cilën na e kishte bërë edhe më parë, kërkoi që të vendosnim një strukturë të plotfuqishme në Tiranë, në të kundërtën “shteti shqiptar nuk mund të lejonte që të kthehej territori i tij në një vend ku gjithkush lëviz me armatimet që dëshiron”. Në pamjen e parë, kjo mund të dukej se, meqenëse ai kishte lidhje të hershme me Xhavit Halitin, dëshironte që vetëm ai të ishte aty, mirëpo asnjë emër nuk është përmendur. Kërkesa e zotit Nano, dhe ishte një kërkesë shumë e logjikshme për kohën në të cilën zhvillohej ky takim, për përcaktimin e një strukture të vetme drejtuese, mund t'i jetë transmetuar zotit Kelmendi si kërkesë e Nanos për të forcuar pozitat e Halitit në Shqipëri, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Dhe nuk kishte përse të ndodhte.

Unë ende kam bindjen se Takimi ynë me zotin Nano ka qenë shumë më i frytshëm se gjithë takimet e tjera që bëmë në Shqipëri. Mes të tjerave aty është vendosur edhe për gjëra të cilat kanë patur një rol shumë të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Pas një bisede disa orëshe u vendos që shteti shqiptar, krahas Kastriot Islamit, i cili kishte një qëndrim jashtëzakonisht pro forcimit logjistik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së saj totale, të kishte si përfaqësues të tij Fatos Klosin, ndërsa ne, ashtu si më parë, do të kishim Xhavit Halitin, të fuqizuar me dy shokë, të cilët do të kishin detyrat e veta, pa i rënë ndesh njëri tjetrit, Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin. Ata kanë punuar së bashku pa probleme të mëdha dhe pa përplasje, gjë të cilën e kemi pritur.

Unë vazhdoj të ruaj mendimin se zoti Xhavit Haliti është njëri ndër personalitetet më të spikatura të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtaria e të cilit qëndron në themelet e saj dhe, në të njëjtën kohë, nuk mund të mendohet pa kontributin e tij. Si njëri ndër bashkëthemeluesit e saj dhe drejtues i sektorit të veçantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, çka përfaqësonte pjesë të rëndësishme të Shtabi të Përgjithshëm, ai ka pasur meritën në ndërtimin e shumë strukturave të saj, të cilat, me gjithë problemet e kohës, u dëshmuan shumë të efektshme. Të njëjtin respekt ndaj edhe për punën e përdallueshme, në sektorin që u caktuan, të Halil Selimit dhe të Ramiz Lladrovcit.

Në takimin me zotin Nano, mes të tjerave, u morën tri vendime të rëndësishme.

-Krijimi i qendrave respektive për koordinimin e punëve në Shqipëri, të cilat, të pavarura nga njëra tjetra, do të bashkëpunonin.

-Vendimi për lëvizjen e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën shoqërimin e posaçëm të strukturave të shtetit shqiptar.

-Po ashtu u vendos që RTSH, problemi më i ndjeshëm deri atëherë në fushën e informimit, të hiqte censurën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për Fondin “Vendlindja thërret”, gjë të cilën, me shumë dinjitet, kishte filluar ta bënte tashmë drejtori i Televizionit Shqiptar, Eduard Mazi.

Për këtë takim është raportuar  në mbledhjen e Kryesisë dhe në Këshillin e Përgjithshëm, ku, të them të drejtën, disa gjëra dhe probleme që na kishin dalur vendosa të mos i bëj të njohura, pasi do të kishte fjalë, moskuptime, ndoshta edhe thyerje.

Në Shqipëri, në takime të veçanta ose të përbashkëta me shokët e Sektorit të Veçantë, të Drejtorisë Politike ose të logjistikës, është diskutuar dhe janë mbajtur mbledhje të veçanta për menaxhimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Nuk është rasti të futem në hollësi të veçanta, por e quaj të detyrueshme të saktësoj se pikërisht ndonjëri që kishte ngritur më shumë “zërin” për “zullumet” e Zekës me paratë e fondit, kishte qenë më i parregullti. Ndërsa nuk është ngritur asnjëherë, edhe asaj kohe, edhe më pas, asnjë tendencë dyshimi për menaxhimin e fondit nga shokët e dërguar në Shqipëri.

Pra, duhet të saktësoj se nuk ka pasur asnjë vendim për largimin e Xhavit Halitit nga detyra e tij, e po ashtu nuk është diskutuar kjo gjë në takimin me zotin Nano. Ka patur shokë nga ne që kishin mendimin se “po të largohej Xhavit Haliti, ne do të bllokoheshim dhe nuk do të mund të bënim asgjë”,  dhe këtë mendim e kanë shfaqur.

Tek unë, qoftë edhe si drejtues i organizatës, Xhavit Haliti, për vetë natyrën e tij disi të veçantë, të pabujshme dhe njëkohësisht të pahapur, ka mbetur bindja se ai ka bërë më të mirën e mundshme.

Bedri Islami

Kryetar i LPK-së në vitet 1998-1999

&

Me Reagimin e mësipërm të zotit Bedri Islami jam plotësisht i njëmendje

 dhe e nënshkruaj së bashku me të.

 

Bardhyl Mahmuti

Nënkryetar i LPK-së në vitet 1998- 1999

 &

Jam plotësisht me Reagimin e mësipërm

Xhavit Hoxha

Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së.

&

I bashkohem reagimit të Bedri Islamit

 

Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së

 dhe anëtar i Kryesisë së LPK-se për Zvizër gjatë viteve 1898- 1999

 &

Këtij reagimi i bashkohen:

Xhevat Bislimi

dhe

Naser Idrizi

ish- anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së 

 Kthehu ne fillim 

 

 

powered by Beepworld