Letër proteste në adresë të klasës politike shqiptare

MOS SHKILNI MBI GJAKUN E DËSHMORËVE TË KOMBIT

Shkruan: Ibrahim Shaqiri ( * )

     Për ta e shprehur mllefin rreth situatës tepër të  rëndë që po mbretëron në etnikumin shqiptar duket se nuk është aq edhe e lehtë, prandaj frikë se në kuadër të kësaj letre nuk mund t’i sipërfaqësoj të gjitha shqetësimet e mija. Sidoqoftë, brenga ime e parë (apo plaga e shpirtit tim) është padyshim mënyra se si sillen politikanët tanë ndaj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, shtresës së skamnorëve nëpërgjithësi si dhe lënjes në harresë të diasporës shqiptare!

    Kulmi i mllefit tim (i akumuluar prej kohësh) arriti me rastin e ekzekutimit të katër djemve në Radush (Harun Aliut, Xhafer Shalës, Shaban Zenunit dhe Qemal Mustafës) nga njësitë speciale të policisë maqedonase, dhe rasti i invalidit të luftës Rexh Ajeti, i cili ditë më parë përmes RTK, kërkoj ndihmë mëshiruese për t’ia shpëtuar të vetmen këmbë që i ka mbetur, sepse njërën e kishte humbur në luftën e UÇK’së në vitin 2001 në  Maqedoni.

     Zonja dhe zotrinj piltikan(e)ë,

     ju sot jeni në vendet udhëheqëse shtetërore, falë gjakut të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të cilët dhanë jetën dhe gjymtyrët e tyre të trupit, për çlirimin e trojeve shqiptare, prandaj është turp, shumë turp që ta nëpërkëmbni këtë sakrificë sublime. Ky turp bije jo vetëm mbi partitë politike që janë në pozitë, por edhe mbi ato parti opozitare, që dje ishin në pozitë e s’kishin bërë asgjë për ta ndryshuar gjendjen e kësaj kategorie njerëzish meritor.

     1. Nga kjo neglizhencë e turpshme juaja, kam krijuar bindjen sikur ju, nuk e dini apo nuk dëshironi ta dini se, si jetojnë sot familjet e dëshmorëve. Sot, për fat të keq këto familje jetojnë pa një përkujdesje të nevojshme insitucionale, dhe përballen çdo ditë me skamje e varfëri të skajshme, ndërkohë që ju dhe oborri juaj familjar i gëzojnë të gjitha privilegjet, që ja u mundëson të qenit në pushtet! A dini ju të skuqeni përballë këtij mjerimi që ka pllakosur familjet më të nderuara të kombit tonë?!...

     2. Edhe familjet e Invalidëve të luftës janë kategorija më e varfër në shoqërinë tonë. Këto familjeve përveç përmballjes me sfidën e skamjes, ato duhet të përkujdesen edhe për shëndetin e djalit apo vajzës së tyre invald(e). Kujtojeni vetëm rastin e invalidit të luftës Rexh Ajeti nga Magura e Lypjanit, i cili jeton në varfëri ekstreme dhe është detyruar (për shkat të mospërkujdesjes institucionale) të kërkojë ndihmë mëshiruese, për ta shpëtuar këmbën e dëmtuar gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që këmbën tjetër e kishte humbur gjatë luftës çlirimtare në Maqedoni (2001). Ju politikanë(e) të Kosovës, Kosovës Lindore e Maqedonisë, a thua mund të bëni gjumë të rehatshëm kur i shihni duke vuajtur Rexh Ajetin e mijëra invalidë tjerë të luftës, ndërkohë që parreshtur lavdëroheni para opinionit për sukseset e mëdha dhe demokracinë e konsoliduar në politikën shqiptare. A nuk ju vjen turp, të harxhoni e abuzoni miliona euro përmes korrupsionit e veprimeve tjera kriminale, për blerje shtëpish e vila luksoze, për blerje makinash, për shetije, dreka - darka e ahengje të ndryshme familjare etj., brenda dhe jashtë vendit,… dhe nuk i ndihmoni invalidët e luftës, të cilët dhanë gjymtyrët e trupit, për të jetuar ne të lirë e me dinjitet?! Turp, turp, turp !!!

     Me këtë rast po ju sjellë një shembull se si duhen trajtuar dëshmorët, invalidët dhe të gjithë ata që sakrifikuan për vendin e tyre. Futuni në faqet kroate të internetit që të mësoni se sa respektohen ata që sakrifikuan për Kroacinë. Në një informacion thuhet se shteti kroat ka ndarë mbi 9. 000 makina për invalidët e luftës, mbi 26. 000 banesa për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të gjitha familjet e dëshmorëve, ata të invalidëve dhe të veteranëve të luftës marrin pensione e kanë benificione të ndryshme nga shteti, shkollohen dhe shërohen falas, si dhe janë njerëzit më të respektuar në shoqërinë kroate. (Kjo s’do koment tjetër)

     3. Si është e mundur të mos trazoheni fare për vrasjen e djemve më të mirë nga forcat policore sllavomaqedone? Përse i mbyllni syt dhe madje, nuk e ngritni as zërin për burgosjen e ushtarëve të UÇK’së, UÇ’Kombëtare dhe UÇPMB’së, të cilët pa të drejtë akuzohen si kriminelë lufte? Me këtë rast po e përmendi vetëm rastin e Xhavit Hasanit, i cili nga viti 2001 mbahet i izoluar në burgun e Dubravës, dhe askush prej jush nuk interesohet për fatin e tij. E tmerrshme, tmerrsisht e tmerrshme….!

     4. Përse ia kthyet shpinën diasporës shqiptare, kur dihet mirëfilli se ajo ishte promotori kryesor i luftërave çlirimtare. Ishin vëllezërit tanë ata (kudo në botën perëndimore), që e ndanë kafshatën e gojës, për ta mbajtur gjallë jetën e shqiptarëve, shëndetësinë, arsimin - Univeristetin e Prishtinës, të Tetovës, etj., ishin ata që e financuan luftën çlirimtare të UÇK’së, UÇ’Kombëtare dhe UÇPMB’së, si dhe ishin mijëra bijë e bija shqiptare që lanë luksin e perëndimit dhe iu bashkuan radhëve të ushtrive tona çlirimtare, dhe shumë prej tyre ranë dëshmorë në fushëbeteja me forcat pushtuese serbe e sllavomaqedone, siç janë: Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Jashari - Kumanova e shumë të tjerë. …

     Shihet ashiqare se jeni bërë lakmiqarë të pushtetit, por, ta dini se, duke qenë mospërfillës ndaj këtyre familjeve të nderuara, ju pashmangshëm po e njollosni luftën tonë çlirimtare, dhe për më tepër po shkelni mbi gjakun e dëshmorëve, dhe mbi sakrificën e mijëra ushtarëve e invalidëve të luftës sonë çlirimtare! Mos harroni se, kungulli nuk shkon gjithmonë mbi ujë, një ditë do të fundoset!

                                                                                                                                                  ( 24. 07. 2010 )

Ibrahim Shaqiri - Rheinfelden, Waldshuterstr.9  4310, Zvicër.

Kush është Ibrahim Shaqiri

     Ibrahim Shaqiri ka lindur më 18. 02. 1965 në fshatin Llojan të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme ushtarake të aviacionit luftarak i kreu në Rajllovac të Sarajevës dhe në Batajnicë të Beogradit. Pas përfundimit të akademisë z. Shaqiri transferohet në komandën e korpusit të V-të në Zagreb. Gjatë qëndrimit në Zagreb, me sukses kreu kursin gjashtëmujor të aerologjisë. Në tetor 1985 transferohet në Prevllak të Herceg’Novit, në një qendër ushtarake ku kryheshin prova me armatime më të bashkëkohore. Në këtë qendër Shaqiri kryen një kurs tjetër prej 18 muajsh për aerologji të lartë me radio-sonda dhe radarë. Pas fillimit të luftës në Kroaci (1991) ai tërhiqet nga radhët e AJ-së dhe kthehet në vendlindje. Ndonëse qëndrimi i Ibrahim Shaqirit në Kumanovë ishte i pasigurt, në shtator 1992 pas shumë peripecive, së bashku me familjen e tij emigron në Gjermani. Gjatë qëndrimit në Gjermani, Shaqiri ka dhënë kontribut të veçantë në financimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në kosovën Lindore „Luginë të Preshevës” dhe në Maqedoni. Si ushtarak, në prill 1999 do t´i bashkohet radhëve të UÇK-së, dhe marrë pjesë aktive në stërvitjen fiziko-taktike të ushtarëve që u përfshinë në operacionin e koduar “Shigjeta” në Pashtrik, ndërsa në vitin 2000/2001 kyçet në UÇPMB dhe në radhët e UÇ’Kombëtare në Maqedoni.

 

 Me rastin e dhjetëvjetorit të operacionit „Shigjeta“ - flasin eprorët e ish UÇK’së Bilall Syla dhe Ibrahim Shaqiri
 
* * *
Flet Bilall Syla, ish-epror i UÇK-së me rastin e dhjetë vjetorit të operacionit ”Shigjeta”
 
SI E BËMË LUFTËN NË PASHTRIK, NË
PRANVERËN E VITIT 1999?
 
Bisedën e zhvilloi: Sheradin Berisha
_____________________________________________________
 
 
Kush është Bilall Syla?
 
     Bilall Syla ka lindur më 14 mars 1965 në fshatin Gerbavc- komuna e Medvegjës. Në vitin 1973 familja e tij shpërngulet në Prishtinë dhe Bilalli aty e kryen shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm. Ndonëse kishte interesim të madh për artin ushtarak, në vitet 1980-1988 në Beograd e kreu gjimnazin dhe akademinë ushtarake. Nga viti 1988 deri në vitin 1991 shërbeu në Vërrnik të Sllovenisë, në brigadën tankiste, ndërsa pas shpërthimit të konfliktit në Slloveni, më 16 gusht 1991 dezerton nga APJ dhe kthehet në Kosovë. Nga vjeshta e vitit 1991 deri në vitin 1993 si ushtarak merrë pjesë në përgatitjen teorike dhe fizike të të rinjëve për luftë. Në shtator të vitit 1993 arrestohet nga UDB-a serbe dhe pas dhjetë muajve “lirohet “nga burgu, por jo edhe nga akuza. Për të mos rënë sërish në duart e UDB-ës, Syla largohet nga Kosova dhe emigron në Gjermani. Atje bjen kontakt  me veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe pa u lodhur do të angazhohet në financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mars të vitit 1999 do t´i bashkohet edhe fizikisht radhëve të UÇK-së. Gjatë muajve mars - maj 1999 merrë pjesë në stërvitjen e vullnetarëve të rinjë që kishin ardhur nga perëndimi, ndëra si komandant i Brigadës “Feken” në maj të këtij viti mori pjesë aktivisht në operacionin ”Shigjeta” të përgatitur nga SHP i UÇK-së, në malet e Pashtrikut.
 
* * *
Përhapja e luftës nga Sllovenia  në Kroaci
për ne ishte një alarm
 
     PASHTRIKU: Z.Bilall, pas konfliktit të armarosur në Slloveni (1991) ju do të këtheheni  në Kosovë. Cili ishte angazhimi juaj asokohe në Kosovë?
     SYLA: Derisa isha në Slloveni e kisha të qartë se Jugosllavia po shkonte drejtë shpërbërjes së saj, prandaj gjithnjë mendoja se  herët a vonë një luftë e armatosur çlirimtare do të zhvillohet edhe në Kosovë. Meqë s´doja t´i shërbeja “armatës jugosllave” e cila komandohej tashmë kryesisht nga eprorët serbo-malazez, pa hezitim u largova nga radhët e saj dhe u ktheva në Kosovë. Me tu kthyer në Kosovë, në tetor 1991 rash në kontakt me disa veprimtarë politik (ish të burgosur) si me: Shemsi Veselin, Shukrie Rexhën, Zijadin Hoxhën, Fatmir Humollin... dhe për një kohë të shkurtë ne, në Prishtinë dhe në Besianë formuam disa grupe të rinjësh, të cilët fillimisht i përgatitëm në aspektin teorik, ndërsa më vonë edhe praktikisht duke bërë  stërvitje me armë. Me këto stërvitje kishim për qëllim edhe të aftësonim drejtues të skuadrave (si njësi të para ushtarake), sepse përhapja e luftës nga Sllovenia  në Kroaci për ne ishte një alarm, se duhet të përgatiteshim për rrethana të  luftës. Në verën e vitit 1992 përmes Abedin Bytyqit njoftohem edhe me Hajzer Hajzerajn, i cili asokohe kishte nisur formimin e ”Ministrisë së Mbrojtjes” por në fakt unë s`kam pas ndonjë aktivitet në këtë ministri, për arsye se aty s´kishte gadishmëri  për veprime konkrete dhe gjithmonë më sugjeronin  se duhet të pres... për t´u angazhuar konkretisht!!
Komandant Bilall Syla duke lexuar tekstin e betimit - më 25 Maj 1999,
para ushtarëve në Feken.
---------------------------------------------------
Si u keqtrajtova pamëshirshëm nga
udbashët serb?
 
     PASHTRIKU: Dhe përkundër këtij sugjerimi ju do ta vazhdonit aktivitetin tuaj - apo...?
     SYLA: Po pa dyshim...e kam vazhduar aktivitetin tim, deri sa u arrestova nga punëtorët e sigurimit serb.
 
     PASHTRIKU: Kur u arrestuat dhe si ka rrjedhur procesi hetues dhe ai gjyqësor?
     SYLA: Unë u arrestova më 17 shtator 1993 në fshatin Tupallë, derisa bëja një vizitë familjare, ndërkohë që një natë përpara, policia serbe e kishte bastisur shtëpinë time në Prishtinë. Me këtë rast kanë konfiskuar disa materiale dhe e kanë marrë peng babain tim me kusht që t´ju dorëzohem. Por mua siç thash më lartë  më arrestuan dhe më sollën në burgun e Prishtinës. Dihet mirëfilli se në gusht - shtator të vitit 1993 pasoi një fushatë e egër burgosjesh të veprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe pjesëtarëve të të ashtuquajturës ”ministri e mbrojtjes” gjithëandej Kosovës. Dhe në Prishtinë, në të njëjtën kohë zhilloheshin hetimet ndaj pjestarëve të ”ministrisë...” dhe grupit të LPK-së prej nëntëmbdhjetë vetash. Gjatë procesit hetimor, ashtu sikur të tjerët, u keqtrajtova pamëshirshëm nga udbashët serb, dhe me këtë rast madje pata  marrë edhe lëndime të rënda trupore, sidomos  në kokë (këtë e konfirmon edhe Amnesty-International në raportin e shkurtit 1994). Pas 5 muajve, pikërisht më 11 shkurt  1994 mora aktakuzën e ngritur nga zv.prokurori  Jovica Jovanoviç dhe për çudi mua më kishin futur në grupin e ministrisë, a në të vërtet tërë veprimtarinë e kisha kryer me pjesëtarët e ”nëntëmbdhjetshes”, ku bënin pjesë Shemsi Veseli, Ismet Mahmuti, Sali Salihu, Bajrush Xhemaili, Raif Çela, Nehat Selimi, Hajredin Hyseni etj. Kjo ka ndodhur, siç e kam kuptuar me vonë, për arsye se, meqë isha epror (toger) më kanë futur në grupin e “ministrisë” ku qenë përfshirë eprorë  të lartë të ish-armatës jugosllave, siç ishin Hajzer Hajzeraj, Zaim Berisha, Haxhi Ferati, Ejup Dragaj,Agim Krasniqi, Ibush Kelmendi etj . Pavarësisht nga kjo, mund të them se këto dy grupe edhe pse të burgosur për të njejtin qëllim, s´ kanë pas asnjë veprimtari të përbashkët. Pas një procesi gjyqësor që zgjati për afër 2 muaj, më 15 korrik `94 trupi gjykues i drejtuar nga Dragolub Zdravkoviq, mua, Heset Sahitin dhe Xhelil Ramën na “liruan”, por jo edhe nga akuza e prezentuar në gjykim.
Qendra stërvitore në Feken, ku B.Syla u emrua komandant i
brigadës “Feken”.
---------------------------------------------------
Daljen e UÇK-së në skenë e kam pritur me
entuziazëm të jashtëzakonshëm
 
     PASHTRIKU: Pas daljes nga burgu qëndruat në Kosovë, apo dolët jashtë...?
     SYLA: Ndonëse s´u lirova plotësisht nga aktakuza, për t´i ikur arrestimit të dytë, ndërkohë vendosa të largohem nga Kosova. Fillimisht kalova në Shqipëri dhe pastaj emigrova në Gjermani. Në fillim kisha pak kontakte me bashkëatdhetarët tanë atje, sepse kushtet e jetës në të ashtuquajturat ”hajme” ma impononin një gjë të tillë. Mirëpo më vonë kur e fitova të drejtën e strehimit u njoftova me shumë veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si me Fehmi Lladrovcin, Fazli Veliun, Abdullah Prapashtican, Jashar Salihun e shumë të tjerë dhe natyrisht merrja pjesë në të gjitha manifestimet, demonstratat, tubimet me bashkëatdhetarët, homazhet tek varrezat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Shtutgart,... që organizoheshin nga  Lëvizja popullore e Kosovës,...etj. 
 
     PASHTRIKU: Dihet mirëfilli se në vitet 1993-1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kryej dhjetra aksione kundër forcave policore e ushtarake serbe... së fundi përballen edhe frontalisht, ndërsa mërgata shqiptare ishte ajo që e financoi këtë ushtri të lavdishme. Cili ishte angazhimi juaj në këtë drejtim?
     SYLA: Daljen e UÇK-së në skenë e kam pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm, për faktin se aksionet e kryera nga radhët e saj e thyen “status quon”e krijuar nga ata që druanin të mos e ”provokojnë situatën...” duke menduar se kishin ndërtuar një klimë demokratike nën pushtimin serb. Aksionet e UÇK-së gjithashtu kanë ngjallur edhe interesimin e bashkësisë ndërkomëtare për Kosovën, dhe kjo do të dëshmohet në ngjarjet e mëvonshme. Duke e ditur se rrita UÇK-ja kishte nevojë financiare, me kohë u angazhova në fondin ”Vendlindja thërret” që grumbullonte mjete për te, madje për këtë qëllim e formova edhe një këshillë të këtij fondi në Vaihingen me rrethinë, (aty ku jetoja). Së këndejmi, që nga fillimi i vitit 1998 e deri në shkurt 1999, kam marrë pjesë në dhjetra tubime me bashkëatdhetarët tanë, të organizuar nga Këshilli Qëndror i Fondit ”Vendlindja Thërret” për Baden Württemberg, të cilët i  informonim për rrjedhat e luftës çlirimtare në Kosovë dhe nevojën për ta ndihmuar financiarisht UCK-në. Ofensivat e përgjakshme të verës së vitit 1998 dhe masakrat e shumta  të ushtrisë e policisë serbe, që ushtronin ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, e që  kulminacioni i tyre do të arrijë me masakrimin e mbi 40 mashkujve të Reçakut (më 15 janar 1999), përveçse nxitën përfshirjen  e bashkësisë ndërkombëtare e sidomos të SHBA-ve, në procesin e zgjidhjes së çështjes sonë, ku  rezultoi me organizimin e konferencës së Rambujesë, këto ngjarje për më tepër tek unë ndikuan fuqishëm, për t´ju bashkuar radhëve të UÇK-së edhe fizikisht.
 
Bilall Syla me bashkëluftëtarët e tij
----------------------------------
Në fillim të marsit 1999 i bashkohem radhëve
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
 
     PASHTRIKU: Dhe ju a e braktisët Gjermaninë, për t´ju bashkuar  radhëve të UÇK-së...?
     SYLA: Po pas krijimit të këtyre rrethanave unë më nuk ndjehesha i  qetë. Kështu që vendosa përfundimisht t´i bashkohem radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - në fillim të marsit 1999. Në shkurt të atij viti, takohem me kolegun tim Shaban Musliu, i cili që nga fillimi i vitit 1998 ishte në luftë dhe në Gjermani kishte ardhur për t´i kryer disa punë. Ai më informoi detalisht për rrjedhat e luftës së UÇK-së në Kosovë dhe nevojën e përfshirjes së ushtarakëve në radhët e saj. Ndonëse ishim përgatitur për të shkuar në Kosovë, ato ditë kontaktuam  edhe me Bashkim Lladrovcin, i cili ishte me qëndrim në Belgjikë dhe përfundimisht në fillim të marsit, ne të tre nga Zyrihu udhëtuam për në Tiranë. Në Tiranë, paraqitemi në selinë  e UÇK-së dhe  takohemi  me Shaip Mujën, Adem Grabovcin, Halim Krasniqin (vëllaun e Xhevë Krasniqit), Ramiz Lladrovcin etj. Aty do të qëndrojmë një javë dhe gjatë kësaj kohe u informuam gjithëanshëm për ecurinë e zhvillimeve në Kosovë si dhe morëm informacione të duhura për detyrat  tona, që do t´i kryenim. Pas një jave do të udhëtojmë në zonën kufitare dhe u vendosëm  në fshatin Vlanë të Hasit. Aty gjetëm një qendër të vogël stërvitore e cila shërbente për mobilizimin, përgatitjen dhe përcjelljen e luftëtarëve të lirisë për në Kosovë.
 
     PASHTRIKU: Kush ju priti në Vlanë?
     SYLA: Në Vlanë takuam Xheladin  Gashin - Plakun, i cili ishte përgjegjës i armatimit në atë zonë, ...por ndërkohë do të takohemi edhe me Azem Sylën - ministrin e atëhershëm të mbrojtjes. Me Plakun dhe Azem Sylën biseduam gjerësisht për organizimin tonë dhe u ngarkuam me detyra konkrete: gjetjen e rrugëve për t´u futur me armatim brenda në Kosovë.
Bilall Syla gjatë kohës së konsultimeve me bashkëpunëtorët e tij
--------------------------------------------
     PASHTRIKU: Dhe ju do të futeni në Kosovë...?
     SYLA: Jo..., ndryshuan planet për futjen tonë me ushtarë dhe armatim në Kosovë. Kjo ndodhi për faktin se, në gjysmën e dytë të marsit 1999 në Tropojë: Azem Syla, Xheladin Gashi - Plaku dhe Shaban Musliu mbajtën një takim me Rrystem Berishën - komandantin e Brigadës 138, që operonte në Koshare dhe aty pasi analizojnë gjendjen e krijuar  përgjatë kufirit, ku  forcat serbe kishin përqëndruar trupa të mëdha ushtarake, merret vendimi për t´i koordinuar veprimet ushtarake rreth thyerjes së kufirit shqiptaro - shqiptar. Dhe si rrjedhojë, pas  këtij takimi filluam stërvitjet intenzive me ushtarët e rinjë.
 
     PASHTRIKU: Kush ishin eprorët që morën pjesë në stërvitjen e ushtarëve në Vlanë?
     SYLA: Në Vlanë ishim disa eprorë: unë, Shaban Musliu, Bashkim Lladrovci, Agim Haziri, Esat Krasniqi, Fadil Demiri etj. Ky stafë eprorësh i përgatiti  ushtarët e rinjë, ashtu që në fillim të prillit dërguam grupin e parë prej 70 ushatrësh në frontin e  Koshares, i cili kishte shpërthyer më 9 prill 1999 - me vendim të ShP të UÇK-së.
 
Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga
Qeveria e Përkohëshme dhe SHP i UÇK'së
(në fund të marsit 1999), u shtua
numri i vullnetarëve
 
     PASHTRIKU: z.Syla, a kishte edhe qendra tjera stërvitore, përveç stërvitores në Vlanë?
     SYLA: Po, pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga Qeveria e Përkohëshme dhe SHP i UÇK-së (në fund të marsit 1999), u shtua numri i vullnetarëve, kështu që me kohë u hapën edhe disa qendra të reja stërvitore, si në: Burrel, Kolsh, Dukagjin, Kalimash, Helshan (afër Krumës)...dhe së fundi edhe në “Feken” në qendrën e Akademisë Ushtarake ”Skënderbeu” në malet e Dajtit.
 
     PASHTRIKU: Po, si rrodhën ngjarjet pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm...?
     SYLA: Në fillim të prillit, meqë në Helshan u rritë numri i ushtarëve, mua, Bashkim Lladrovcin dhe Ibër Elezajn na caktuan që të shkojmë në këtë qendër stërvitore, komandant i së cilës ishte koloneli Maliq Doçi. Ndërkohë në Helshan do të na bashkohen edhe disa eprorë të tjerë të ushtrisë shqiptare si: kolonel Spiro Butka, kolonel Arqileu dhe togerët: Agim Sallaku, Ermir Begaj dhe Dritan Durmishi. Ky stafë komandues dha kontribut të madh në aftësimin fizikë e luftarak të rreth 1000 vullnetarëve, që kishin ardhur nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare dhe nga shumë  vende të  botës perëndimore. Në mesin e vullnetarëve ishte edhe eprori Ibrahim Shaqiri nga fshati Llojan i Kumanovës, i cili na u bashkua në stërvitjen e ushtarëve. Në fillim kushtet e përgjithshme në qendrën stërvitore ndonëse nuk ishin të mira, ato do të përmirësohen dukshëm pas vizitave që i bënë kësaj qendre, disa anëtarë të SHP të UÇK-së.
 
     PASHTRIKU:Kush e koordinonte aktivitetin e komandave përkatëse nëpër qendrat stërvitore?
     SYLA: Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Qendrën tonë e kanë  vizituar disa herë eprorët e SHP të UÇK-së: Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi, Musa Jashari, Rifat Sylejmani, Fadil Zejnullahu, Enver Rrustemi, Nexhmidin Kastrati etj, madje edhe  gjenerali i ushtrisë shqiptare Kudusi Lama - Komandant i Divizionit të Kukësit,i cili ka merita të jashtëzakoshme në koordinimin e aktiviteteve ushtarake në gjithë zonën kufitare.
 
     PASHTRIKU: Pas thyerjes së kufirit  në Koshare, a keni dërguar ushtarë tjerë në vijat e frontit ku zhvilloheshin luftime të përgjakshme?
     SYLA: Meqenëse fronti i Koshares ishte pjesë e operacionit të përgjithshëm, që zhvillohej në gjithë zonën kufitare, ishte obligim i qendrave stërvitore që të dërgojnë ushtarë atje. Prandaj  kah mesi i prillit 1999 nga qendra stërvitore e Helshanit për në Koshare  kemi dërguar edhe 204 ushtarë të stërvitur mirë, ndonëse interesimi për të shkuar në front ishte shumë i madh. Në përcjellje të ushtarëve ishim: Maliq Doçi, unë, Alush Shala dhe Shaban Musliu dhe në fshatin Papaj të Tropojës ushtarët ia dorëzuam eprorit Nasim Haradinaj.
 

Brigada “Feken” mori pjesë aktivisht në operacionin”Shigjeta”

     PASHTRIKU: Dhe pastaj...si u zhvilluan ngjarjet?
     SYLA: Në fund të prillit nga Helshani rreth 650 ushtarë i transferuam në qendrën stërvitore të akademisë ushtarake “Skënderbeu” në Feken, ku kushtet për stërvitje ishin më të mira. Në këtë qendër gjetëm edhe qindra ushtarë - vullnetarë, të cilët ato ditë kishin ardhur nga disa vende të Evropës perëndimore, por kishte edhe nga Shqipëria. Në kuadër të konsolidimit të komandës ushtarake nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u emrova komandant i gjithë efektivit të UCK-së në këtë  qendër stërvitore. Ndërkohë, stafi komandues bëri edhe strukturimin ushtarak dhe formuam një brigadë me tre batalione, e cila do të merrte pjesë aktivisht në operacionin “Shigjeta” që do të zhvillohet në malet e Pashtrikut. Me këtë rast Brigadës ia dhamë emrin e qendrës stërvitore ”Feken”. Në radhët e brigadës kishim edhe vullnetarë gjermanë, anglezë, një sllovake e cila ishte e martuar me një shqiptar etj. Në “Feken”, stërvitjet ushtarake (ushtrimet taktike dhe gjuajtjet luftarake me armët personale dhe ato të përbashkëta) planifikoheshin, udhëhiqeshin dhe realizoheshin drejtpërdrejtë nga eprorët e akademisë. Dhe kontribut të madh në mbarëvajtjen e këtyre stërvitjeve, ka dhënë padyshim edhe komandanti i akademisë  z.Flamur Skarparlliu me tërë stafin drejtues të tij.
 
     PASHTRIKU: Ndonëse asokohe në Shqipëri ishin të përqëndruar edhe  shumë ekspetë ushtarak të NATO-s, a kishit kontakte më pjestarë të saj?
     SYLA: Po, kemi pasur. Me këtë rast dua të përkujtojë një vizitë, që ato ditë na bënë atashtë ushtarake të SHBA-ve dhe të Anglisë. Gjatë qëndrimit të tyre në qendër, ne bëmë një demonstrim ushtarak me emrin ”togu këmbësorik në sulmë” dhe nga ky demonstrim yni u ndanë shumë të kënaqur...madje në shenjë admirimi, para nesh deklaruan se: ”sikur ta kishim moralin e lartë tuajin për luftë, me armatimin tonë modern që kemi do të arrinim deri në Beograd”.
 
     PASHTRIKU: z.Bilall, dihet mirëfilli se më 25 maj 1999 në këtë qendër stërvitore do të organizohet edhe ceremonia e dhënjes së betimit. A mund të na thoni si u zhvillua kjo ceremoni?
     SYLA: Një nga ngjarjet më mbresëlënëse për mua dhe gjithë efektivin ushtarakë të UÇK-së, ishte padyshim  dhënja e betimit. Atë ditë maji betimin e dhanë 1180 ushtarë. Në këtë ceremoni përveç dhjetra prindërve të ushtarëve, morën pjesë përfaqësues të SHP të UÇK-së dhe të strukturave shtetërore të Shqipërisë: Jakup Krasniqi, Sabit Brokaj, Xhavit Haliti, Raif Gashi e shumë të tjerë.
 
Planin operativ të operacionit ”Shigjeta” e ka
përpiluar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi
i Përgjithshëm i UÇK-së
 
     PASHTRIKU: Më lartë theksuat se Brigada ”Feken” ka marrë pjesë në operacionin “Shigjeta”. A mund të na thoni se, kush e përpiloi planin e operacionit ”Shigjeta” dhe si u zhvillua ky operacion përgjithësisht?
     SYLA: Planin operativ të operacionit ”Shigjeta” e ka përpiluar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me qëllim të thyerjes së forcave të shumta serbe që ishin përqëndruar në zonën kufitare dhe depërtimin tonë në drejtime të caktuara në thellësi të Kosovës, për t´u lidhur pastaj me njësitë e UÇK-së që operonin në  Zonën Operative të Dukagjinit  dhe në Zonën Operative të Pashtrikut, të cilat kishin shumë nevojë për ushtarë dhe armatim.
Plani operativ i operacionit„Shigjeta“i hartuar nga SHP i UÇK-së
----------------------------------------------
     PASHTRIKU: Si u zhvillua operacioni “Shigjeta” ?
     SYLA: Pasi dhamë betimin, me urdhër të SHP të UÇK-së batalioni i parë dhe i dytë i Brigadës “Fekeni” me gjithë efektivin e saj do të marshojë në drejtim të Pashtrikut, ndërsa batalioni i 3 i kësaj brigade nën komandën e Bashkim Lladrovcit do të marshojë si përforcim në frontin e Koshares. Në bjeshkët e larta të Pashtrikut arritëm mbas një marshimi të gjatë e të mundimshëm në drejtimin: Mali i Dajtit - Malësi e vermut - Helshanë (Krumë) - Cahan - Maja e Pashtrikut, me komplet paisjet ushtarake që kishim. Detyrën luftarake të Brigadës ”Feken” në Cahan e pranova nga komandanti Nexhmedin Kastrati, ndërsa aty ishin edhe eprorët: Musa Jashari, Rifat Sylejmani, Enver Rrystemi etj.
 
-        Në kuadër të Operacionit, njësitë e brigadës ”Feken” ishin caktuar të operonin në Drejtimin e dytë Taktik (D2T) ku një ditë përpara në këtë zonë ishte futur në luftime me armikun, njësia e ashtuquajtur “Taktik Force - 0” (TF-0) e komanduar nga eprori Fadil Zejnullahu dhe një pjesë e Brigadës  126 e Hasit.
-        Në krahun e majtë, në drejtim të “qafës së mullarit” (D3T) operonte batalioni ”Atlantiku” nën komandën e Hysni Sylës, ndërsa në vijim mbi fshatin Nikoliq ishte njësiti tjetër nën komandën e Binak Gashit.
-        Në krahun e djathtë në drejtim të fshatrave të Hasit të Thatë dhe përgjatë Drinit të Bardhë (D1T e D4T) operonin njësitë ushtarake të komanduara nga Kemail Shaqiri dhe Ruzhdi Saramati.
-        Me këtë rast vlen të theksohet, se në operacionin “Shigjeta” ka marrë pjesë edhe efektivi i Divizionit të Kukësit, i cili ka vënë në dispozicion tërë arsenalin ushtarak.
 
     Brigada jonë pra, ka operuar në qendër të forcave tona, pikërisht në majën e Pashtrikut dhe ka mbuluar 3 km të vijës sulmuese. Atje tereni ishte jashtëzakonisht i vështirë, i zhveshur nga malet e me thyerje të thella të terenit, çka e vështirësonte lëvizjen tonë, furnizimin, por edhe bartjen e të plagosurve gjatë luftimeve. Megjithatë  forcat e UÇK-së në fund të majit 1999 patën përparime dhe u futën disa kilometra në thellësi të territorit, ku operonin forcat serbe. Mirëpo, mbas kësaj, armiku shumë shpejt solli përforcime të reja nga forcat elite parashutiste të Brigadës 549 të korpusit të Prishtinës  si dhe aktivizoi helikopterë të shumtë për të përballuar situatën. Madje ajo përdori edhe artilerinë e rëndë duke gjuajtur shpesh herë edhe predha me helme kimike, por fatmirësisht për shkak të lartësisë mbidetare (1990 m) era e barte shpejt helmin ashtu që ne nuk patëm pasoja. Në fillim të qershorit, pas konsolidimit të forcave tona, ndërmorëm një seri sulmesh të rrufeshme kundër forcave serbe, për të qëndruar në pozicionet e marra. Gjatë luftimeve të përditshme në Pashtrik kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve edhe me forcat e NATO-s, ku në shumë raste ua kemi dhënë koordinatat identifikuese për  babmardimin e pozicioneve serbe nga ajri, ndërkohë që njësitë tona sulmonin  vazhdimisht nga toka.
 
     PASHTRIKU: Dhe pas një lufte të përgjakshme përgjatë tërë vijës së kufirit, më 9 qershor 1999 forcat pushtuese serbe kapitullojnë me nënshkrimin e marrëveshjes tekniko - ushtarake në Kumanovë. A pati  luftime pas kësaj marrëveshje...?
     SYLA: Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës ra intensiteti i luftimeve, por megjithatë akoma kishte gjuajtje sporadike nga forcat serbe, dhe këtë e bënin, tani jo se donin të rezistonin, por nga frika se si do të tërhiqeshin mbrapa për në Serbi.
Bilall Syla me bashkëluftëtarët e tij në Pashtrik, gjatë operacinoit “Shigjeta” (Maj 1999)
 --------------------------------------------------
     PASHTRIKU: Sa ishte numri i të  rënëve dëshmorë gjatë këtij operacioni ?
     SYLA: Po në këtë operacion ranë dëshmorë shumë ushtarë. Vetëm nga brigada ime gjatë operacionit ”Shigjeta” në altarin e lirisë ranë pesë ushtarë: Florim Rushiti, Avdi Xhaçku, Lulzim Llugiqi, Bedri Gashi që të katër në Pashtrik, ndërsa Fatmir Ratkoceri ra dëshmorë në frontin e Koshares.
 
Itinerari i njësive të UÇK-së, pas përfundimit
operacionit “Shigjeta”
 
     PASHTRIKU: Po...pas përfundimit të operacionit “Shigjeta”, cili ishte itinerari i njësive të UÇK-së?
     SYLA: Pas përfundimit të plotë të luftimeve, ne organizuam homazhe tek varrezat e deshmorëve, dhe  më pastaj me urdhër të komandës së operacionit, më 16 qershor 1999 gjithë efektivi i brigadës marshuam për në Kosovë në drejtimin: Kushnin - Rogovë e Hasit. Një natë kemi fjetur në shkollën e fshatit Rogovë dhe të nesërmen sipas planit, rreth 700 ushtarë u transferuan në zona të ndryshme operative të UÇK-së, sipas përkatësive teritoriale të ushtarëve. Ndërkohë eprorët e Brigadës: Dritan Durmishi, unë, Ermir Begaj, Ibrahim Shaqiri, Rrahim Bekteshi dhe Florim Balaj udhtuam për në Kleçkë dhe në selin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u takuam me  komandantin e shtabit Agim Çekun. Në këtë takim komkandantin Çeku e informuam hollësisht për rrjedhat e përgjithshme të operacionit ”Shigjeta” dhe nga aty dolëm me detyra të reja, tanimë në rrethana paqe. Unë meqë isha nga Prishtina u transferova në Zonën Operative të Llapit, mirëpo pas një kohe, për shkaqe familjare u demobilizova dhe u ktheva në Gjermani.
 
     PASHTRIKU: Cili ishte angazhimi juaj, pasluftës në Gjermani?
     SYLA: Pas luftës, duke e parë neglizhencën e institucioneve të Kosovës, për t´i ndihmuar familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, në Gjermani nuk ndejta duarkryq. Përkundrazi, së bashku me një grup shokësh organizuam disa herë aksione humanitare dhe ju ndihmuam familjeve të atyre që dhanë bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës. Ndihmat materiale i kemi dërguar në Prizren, Dardanë, Ferizaj, Prishtinë etj. Tani së fundi kemi grumbulluar 1600 € dhe i ndihmuam 5 familje të dëshmorëve. Besoi se aksione të ngjashme do të organizojmë edhe në të ardhmen.
 
…………………………………
 
Flet Ibrahim Shaqiri, ish-eprori i UÇK-së, UÇPMB-së
dhe UÇ-Kombëtare në Maqedoni

RRUGËTIMI NGA GJERMANIA-DREJT FRONTEVE
TË LUFTËS PËR ÇLIRIM
 
Bisedën e zhvilloi: Sheradin Berisha
_________________________________________________________________
 
 
 
 Kush është Ibrahim Shaqiri?
 
     Ibrahim Shaqiri ka lindur më 18.02.1965 në fshatin Llojan të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme ushtarake të aviacionit luftarak i kreu në Rajllovac të Sarajevës dhe në Batajnicë të Beogradit. Pas përfundimit të akademisë z. Shaqiri transferohet në komandën e korpusit të V-të në Zagreb. Gjatë qëndrimit në Zagreb, me sukses kreu kursin gjashtëmujor të aerologjisë. Në tetor 1985 transferohet në Prevllak të Herceg-Novit, në një qendër ushtarake ku kryheshin prova me armatime më të reja. Në këtë qendër z. Shaqiri kryen një kurs tjetër prej 18 muajsh për aerologji të lartë me radio-sonda dhe radarë. Pas shpërthimit të luftës në Kroaci (1991) ai tërhiqet nga radhët e AJ-së dhe kthehet në vendlindje. Ndonëse qëndrimi i z. Shaqiri në Kumanovë ishte i pasigurt, në shtator 1992 pas shumë peripecive, së bashku me familjen e tij emigron në Gjermani. Gjatë qëndrimit në Gjermani, z. Shaqiri ka dhënë kontribut të veçantë në financimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në “Luginë të Preshevës” dhe në Maqedoni. Si ushtarak, në prill 1999 do t´i bashkohet radhëve të UÇK-së, dhe marrë pjesë aktive në stërvitjen fiziko-taktike të ushtarëve për operacionin e koduar “Shigjeta” në Pashtrik, ndërsa në vitin 2000/2001 kyçet në UÇPMB dhe në radhët e UÇK-së në Maqedoni.
 
***
Adresa e UÇK-së në perëndim ishte LPK-ja
dhe fondi i saj “Vendlindja Thërret”
 
    PASHTRIKU: z. Shaqiri, pas largimit nga radhët e AJ-së për shkaqe sigurie ju emigruat në Gjermani…?
    SHAQIRI: Pas largimit nga radhët e AJ-së, në shtator 1992 emigrova në Gjermani. Bëra një kërkesë për strehim politik dhe pas një kohe autoritetet gjermane ma pranuan këtë status. Ndërkohë, ndoqa një kurs intensiv (6 mujor) të gjuhës gjermane dhe më pastaj kalova nga objektet e refugjatëve, në një banesë private dhe kështu fillova një jetë krejtësisht normale. Nga qershori 1995 kalova me banim në qytetin Regensburg dhe aty u punësova si shofer i kamionit. Me kalimin e kohës u njoha me shumë shqiptarë të profesioneve të ndryshme. Asokohe, aty ku banoja, vepronte LDK-ja dhe UNIKOMB-i dhe kisha oferta për t´u inkuadruar në këto parti, por meqë nuk shihja veprime konkrete të tyre nuk u anëtarësova, ndonëse kisha kontakte të rregullta me aktivistë të shumtë. Duke e ditur situatën nëpër të cilën po kalonte Kosova dhe viset tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore, (sot po i themi “Lugina e Preshevës”), gjatë takimeve të rastit me aktivistë të ndryshëm pata preferuar që të bëhet evidentimi dhe kontaktimi me eprorët shqiptarë kudo që ishin, për t´i bërë përgatitjet e para profesionale për situata lufte. Mirëpo, përgjigjja ishte gjithnjë e njëjtë, se: “ka kohë dhe i kemi njerëzit që po merren me këtë çështje!”
Eprori Ibrahim Shaqiri me një bashkëluftëtar
---------------------------------------------------
   PASHTRIKU: Dihet mirëfilli se në vitet 1994-1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kryej dhjetëra aksione guerile, kundër forcave policore e ushtarake serbe, së fundi (1998-99) përballen edhe frontalisht, ndërsa mërgata shqiptare ishte ajo që e financoi këtë ushtri të lavdishme. Cili ishte angazhimi juaj në këtë drejtim?
   SHAQIRI: Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, me aksionet e veta guerile kundër forcave policore - ushtarake serbe si dhe lufta frontale çlirimtare e vitit 1998-99, ndryshoi për së mbari rrjedhat e organizimit në Gjermani. Organizata LPK kudo mbante takime me mërgimtarë dhe grumbullonte mjete financiare për UÇK-në, për çka edhe kontributi im nuk ka munguar në këtë drejtim. Për më tepër, unë si epror nuk bëja më gjumë të qetë, madje as që kisha vullnet për punë. Tashmë kërkoja t´i gjeja rrugët për t´iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
 
    PASHTRIKU: Si e gjete këtë rrugë?
   SHAQIRI: Shumë lehtë. Adresa e UÇK-së ishte LPK-ja dhe fondi i saj “Vendlindja Thërret”. Një ditë rashë në kontakt me veprimtarin e LPK-së Fatmir Gega dhe e ftova të vijë në banesën time. Fatmiri erdhi së bashku me një koleg tjetër dhe pasi ua dorëzova mjetet financiare që i kisha ndarë për UÇK-në, gjatë bisedës ju shpreha gatishmërinë time për t´ju bashkuar edhe fizikisht radhëve të UÇK-së. Ky vendim imi meqë u mirëprit nga ata, pas tri ditësh mi krijuan mundësit për t´u nisur në frontet e luftës, kah Shqipëria.
 
Nga Gjermania në radhët e UÇK-së
 
    PASHTRIKU: Dhe, cili ishte itinerari juaj në këtë mision çlirimtar?
    SHAQIRI: Më 8 prill 1999 nga Regensburgu mua dhe Burim Osmanajn (një i ri vullnetar), veprimtarët e LPK-së na dërguan në qendrën mobilizuese në Nürnberg. Nga Nurembergu (ku takuam shumë vullnetarë të tjerë), në mënyrë të organizuar me autobusa udhëtuam nëpër Itali dhe nga Bari me anije zbarkuam në skelën e Durrësit, në Shqipëri. Në Durrës u vendosëm në restorantin “Drenica”, i cili shërbente si qendër e vullnetarëve të UÇK-së, që vinin parreshtur nga të gjitha shtetet e perëndimit. Në këtë qendër rekrutuese kemi plotësuar nga një formular me të dhënat personale dhe gjatë ditës jemi informuar për zhvillimet luftarake të UÇK-së në Kosovë… Në mbrëmje me dy autobusa kemi udhëtuar për në Kukës dhe aty shtabi i UÇK-së na shpërndau nëpër disa reparte ushtarake. Mua me një grup vullnetarësh na caktuan të shkojmë në repartin e Helshanit (në Has), ku si përgjegjës ishte kolonel Maliq Doçi.
 
    PASHTRIKU: Sa ushtarë kishte ky repart dhe cili ishte stafi komandues i tij?
    SHAQIRI: Po, në Helshan ishin mbi 700 ushtarë, të vendosur në dy objekte banimi, jo sa duhet të rregulluara, por me kalimin e kohës u krijuan kushte më të mira. Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga SHP i UÇK-së… u shtua numri i ushtarëve dhe i reparteve ushtarake, prandaj ato ditë në repartin tonë erdhën edhe katër eprorë të UÇK-së, si: Bilall Syla, Shaban Musliu, Ilir Daka, Ibër Elezi dhe Bashkim Lladrovci. Ndërkohë, në këtë repart, stafit komandues do t´i bashkohen edhe pesë eprorë të ushtrisë shqiptare, si: kolonel Spiro Butka, kolonel Arqileu dhe togerët: Driton Durmishaj, Agim Sallaku dhe Ermir Begaj.
 
Ibrahim Shaqiri (i pari nga e majta) me eprorët e Brigadës”Feken”
në Pashtrik (Maj 1999)
---------------------------------------------------
    PASHTRIKU: Po, çfarë detyrash kishit ju?
    SHAQIRI: Unë, fillimisht kryeja detyrat e një ushtari, si gjithë ushtarët tjerë dhe për komandant kisha eprorin Ibër Elezi. Mirëpo një ditë rastësisht komandant Elezi më pyeti nga vija dhe çfarë profesioni kam dhe kur i tregova se vij nga Kumanova dhe me profesion jam ushtarak, ai më tha se duhet të lajmërohem në shtab. Në mbrëmje u paraqita në shatorrin ku ishte vendosur shtabi dhe pasi u intervistova nga eprori Shaban Musliu, u emërova komandant i një kompanie dhe me këtë rast u bëra edhe anëtar i shtabit.
 
    PASHTRIKU: Çfarë stërvitjesh ushtarake kryheshin në Helshan?
    SHAQIRI: Në repartin tonë kryheshin intensivisht: stërvitjet taktike, sulmi dhe mbrojtja në frontin e luftës, lëvizja e ushtarit në fushë betejë, zënia e pritave armikut, kalimi nëpër fushat e minuara etj. Këto përgatitje ushtarake ndikonin që morali i ushtarëve të jetë i lartë për luftë.
 
    PASHTRIKU: Derisa në Helshan bëheshin këto stërvitje të rregullta, në Koshare kishte shpërthyer fronti për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. A keni dërguar ushtarë në frontin e Koshares?
    SHAQIRI: Po, ndonëse Fronti i Koshares (që me urdhër të SHP të UÇK-së, kishte shpërthyer në javën e dytë të prillit), ishte pjesë e gjithë operacionit ushtarak të UÇK-së që zhvillohej përgjatë vijës kufitare, në gjysmën e dytë të prillit me vendim të komandës sonë, në këtë front janë dërguar mbi 200 ushtarë të përgatitur e të pajisur mirë për luftë.
 
    PASHTRIKU: Dhe, pastaj si u zhvilluan ngjarjet në zonën tuaj?
    SHAQIRI: Meqenëse për çdo ditë shtohej numri i vullnetarëve, që vinin nga vende të ndryshme të botës, në fund të prillit nga Helshani mbi 600 ushtarë u transferuan në qendrën e Akademisë Ushtarake - Skënderbeu në “Feken”. Atje kushtet për stërvitje ishin shumë më të mira. Në këtë qendër ushtarake kemi vazhduar me ushtrime taktike dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë profesionale ushtarake të UÇK-së dhe në këtë drejtim kontribut të veçantë kanë dhënë stafi i komandës së kësaj akademie, në krye me komandant Flamur Skraparlliun dhe kolonel Adriatikun.
 
Ibrahim Shaqiri në mesin e luftëtarëve, gjatë Operacionit “Shigjeta”
Pashtrik (Maj 1999)
---------------------------------------------------
Fronti i Pashtrikut - “Shigjeta”
 
    PASHTRIKU: Dihet mirëfilli se Brigada juaj ishte bartëse e frontit të luftës në Pashtrik, që SHP i UÇK-së e kishte koduar si Operacioni “Shigjeta”. A mund të na thoni, se kur marshuat për Pashtrik dhe si u zhvilluan luftimet e këtij operacioni?
    SHAQIRI: Në maj të vitit 1999 me urdhër të shtabit, dy batalione të brigadës sonë marshuan për në Frontin e Pashtrikut, ndërsa batalioni i tretë ka shkuar në frontin e Koshares. Marshimi për në Pashtrik ishte i vështirë, për shkak të peshës me pajisje ushtarake që kishim në shpinë (30 kg) si dhe terrenit të vështirë kodrinor… mirëpo falë përgatitjeve fizike dhe moralit të lartë, të gjitha i përballuam. Me të arritur në zonën e luftimeve në Pashtrik, menjëherë filluam përgatitjen e terrenit (hapjen e transheve, llogoreve…) për dislokimin e brigadës, ndonëse atje gjetëm disa njësi ushtarake si dhe Batalionin “Atlantiku”. Në operacionin “Shigjeta”, përgjatë tërë vijës sulmuese në Pashtrik, u zhvilluan luftime të përgjakshme dhe intensiteti më i madh i luftimeve ishte në fund të majit dhe fillim të qershorit 1999, kur njësitë tona arritën të depërtonin në thellësi të pozicioneve serbe. Forcat serbe ndërkohë kanë sjellë përforcime të reja dhe kanë përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë për ta përballuar sulmin tonë.
 
    PASHTRIKU: Ku ishin të pozicionuara njësitë e Brigadës suaj dhe si i përballuat kundërsulmet e armikut?
    SHAQIRI: Kundërsulmet e forcave serbe i përballuam me sukses, falë moralit të lartë të ushtarëve tanë dhe angazhimit maksimal të eprorëve të Brigadës në krye me komandantin Bilall Syla, i cili vazhdimisht ishte në pozicionet e para, ku zhvilloheshin luftimet. Brigada jonë operonte në maje të Pashtrikut, në një terren mjaft të vështirë dhe mbulonte 2 deri në 3 km të vijës së frontit, ndërsa në krahun e djathtë dhe të majtë të njësive tona, operonin njësi tjera të UÇK-së me drejtime të caktuara taktike, nga shtabi i operacionit “Shigjeta”. Vlen të theksohet se gjatë këtij operacioni nga Brigada jonë ranë dëshmorë 4 ushtarë, ndërsa u plagosën rreth 20 të tjerë.
Harta e Operacionit "Shigjeta" (Maj - Qershor 1999)
---------------------------------------------------
    PASHTRIKU: Kur përfundoi operacioni “Shigjeta” në Pashtrik dhe çfarë ndodhi pastaj?!
    SHAQIRI: Luftimet në Pashtrik kanë përfunduar menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës (09.06.1999) dhe, kah mesi i qershorit me urdhër të shtabit të operacionit “Shigjeta” të gjitha njësitë e Brigadës kanë marshuar në drejtim të Kosovës dhe pas një rrugëtimi të gjatë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, kemi arritur në një fshat të Hasit. Aty, kemi qëndruar një natë dhe të nesërmen të gjithë ushtarët janë urdhëruar të shkojnë nëpër zonat operative të UÇK-së prej nga vinin ata, ndërsa ne, eprorët, udhëtuam për në Drenicë, ku patëm një takim me stafin e SHP të UÇK-së. Pas këtij takimi, meqë nuk kisha pretendime të vazhdoj jetën ushtarake, më 21 qershor 1999 bëra një kërkesë për demobilizim pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe u ktheva në Gjermani, tek familja ime.
 
Shaqiri në radhët e UÇPMB-së dhe të
UÇK-së në Maqedoni
 
    PASHTRIKU: Pas kthimit në Gjermani, me çfarë aktiviteti u morët dhe si u kyçet në radhët e UÇPMB-së?
    SHAQIRI: Pas kthimit tim në Gjermani me mirëkuptim të shefit të firmës ku punoja më herët, vazhdova punën si shofer. Dhe punova deri në momentin kur plasi lufta në Kosovën lindore në “Luginë të Preshevës”, të udhëhequr nga UÇPMB-ja. Për të financuar këtë ushtri, në Gjermani dhe gjithandej nëpër shtetet perëndimore, LPK-ja formoi këshillat për financimin e UÇPMB-s, në krye me atdhetarin e devotshëm Haser Maliqi. Një këshill të këtij fondi e themeluam edhe në Regensburg. Pas një kohe, unë shpreha gatishmërinë që t´i bashkohem edhe fizikisht radhëve të UÇPMB-së dhe me ndihmën e Haserit në janar të vitit 2001 nga Mynihu udhëtova për në Shkup. Për t´u futur në zonën ku kontrollohej nga UÇPMB-ja kam kaluar në Kosovë dhe prej Gjilanit jam futur në Konçul, ku kam takuar komandant Haxhiun dhe Komandant Vullnetin me të cilët pastaj kam shkuar në fshatin Dobrosinë. Aty jam sistemuar në shtabin e UÇPMB-së dhe gjatë tërë kohës kam punuar së bashku me komandant Danin.
 
    PASHTRIKU: Si ishte organizimi i UÇPMB-së në Dobrosinë dhe me çfarë detyrash u ngarkuat nga shtabi?
    SHAQIRI: Po organizimi ishte shumë i mirë, për faktin se në UÇPMB ishin radhitur tashmë djemtë më të mirë, që kishin fituar përvojë luftarake në Kosovë. Nga shtabi u ngarkova që të merrem me stërvitjen fizike dhe taktike-ushtarake të ushtarëve si dhe me hapjen e pozicioneve të reja në pozitat strategjike të UÇPMB-së. Atë kohë jemi përballur thuaja se për çdo ditë me forcat ushtarake serbe dhe me këtë rast vlen të përmenden luftimet e përgjakshme në kodrën e Lluçanit.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Tanush (2001)
--------------------------------------------------- 
    PASHTRIKU: z. Shaqiri, akoma pa përfunduar lufta në “Luginë të Preshevës”, në Tanush u paraqit Ushtria Çlirimtare Kombëtare, si e përjetuat këtë ngjarje?
    SHAQIRI: Thënë të drejtën në atë moment kur dëgjova për paraqitjen e UÇK-së në Tanush jam habitur, sepse ende nuk kishim përfunduar punën në “Luginë të Preshevës”. Mirëpo më vonë do të mësoja shkaqet e vërteta të fillimit të luftës në Maqedoni. Tani për çdo ditë vrisja mendjen për zhvillimet luftarake në Maqedoni dhe këtë gjë e vërejti komandant Haxhiu dhe një ditë më thotë që të kaloj në Kumanovë për t´iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
 
    PASHTRIKU: Si u inkuadruat në radhët e UÇK-së në Maqedoni?
    SHAQIRI: Po pa humbur kohë, unë nëpërmjet një lidhjeje shumë sekrete u futa në Sllupçan dhe rashë në kontakt me shtabin e UÇK-së për komunën e Likovës. Aty takova Fadil Nimanin - Komandant “Tigrin”, Sami Ukshinin - komandant “Sokolin” dhe Nazmi Beqirin .
Ato ditë meqë Shtabi i UÇK-së në Likovë e më gjerë ishte duke u konsoliduar në çdo aspekt, unë shfrytëzova rastin të vijë për disa ditë në Gjermani, për t´i kryer disa punë që kishin nevojë për mua.
 
    PASHTRIKU: Pastaj, u kthyet sërish në Maqedoni apo?
    SHAQIRI: Po, po meqë unë isha në kontakt të vazhdueshëm me shtabin e UÇK-së, pas disa ditësh, pikërisht më 2 maj 2001(atë ditë kur Komuna e Likovës u shpallë zonë e lirë) më thërrasin që të kthehem në Maqedoni. Dhe pa humbur kohë, më 3 maj nisem për Maqedoni dhe pas shumë peripecish të vështira u futa në fshatin tim të lindjes në Llojan. Fillimisht kontaktova me shtabin dhe aty u sistemova në sektorin operativ. Puna ime konkrete ishte përcaktimi i pozicioneve, hapja e istikameve, ndërtimi i bunkerëve dhe stërvitja fizike e taktike e ushtarëve të rinj.
 
Ibrahim Shaqiri në mesin e bashkëluftëtarëve (maj 2001)
---------------------------------------------------
    PASHTRIKU: Në cilën Brigadë të UÇK-së keni qenë i sistemuar dhe a keni pas ndonjë pozitë ushtarake?
    SHAQIRI: Kam qenë anëtar i Shtabit të Brigadës 113 Ismet Jashari “Kumanova” dhe më 17 qershori 2001 jam emëruar shef i operativës të kësaj brigade. Komandant i Brigadës ishte Sami Ukshini – komandant “Sokoli”, kurse anëtarët tjerë të shtabit qenë: Gjeneral Maliq Ndrecaj, Sadullah Duraku, Hajrullah Misini (Shpati), Ulusi Beqiri, Komandant “Guri” etj. Zona e veprimit të Brigadës sonë përfshinte terrenin prej Llojanit deri në Nakushtak ku fillonte zona operuese e Brigadës 114. Gjatë kohës së luftës këtë zonë e kanë vizituar edhe drejtues të SHP të UÇK-së Ali Ahmeti, Gëzim Ostreni, Fazli Veliu, Nazmi Beqiri etj.
 
Si u zhvilluan betejat e përgjakshme në Vaksincë, Sllupçan, Mateç dhe në Haraqinë?
 
    PASHTRIKU: z. Shaqiri në zonën operative të Brigadës 113 janë zhvilluar disa beteja të përgjakshme me forcat maqedone, siç janë: Beteja e Vaksincës, beteja e Sllupçanit, e Mateçit dhe mbi të gjitha Beteja e përgjakshme e Haraqinës. Si janë zhvilluar këto beteja?
    SHAQIRI: Po është e vërtetë se Brigada 113 ka marrë pjesë në shumë beteja. Fillimisht dua t´ju them se më 18 maj 2001 Brigada jonë është përballur me forcat maqedone, në zonën në mes fshatit Llojan dhe Vaksincë, ku luftimet u zhvilluan edhe në 100 m largësi. Më 25 maj, mbi 40 tanke e autoblinda të forcave sllavo-maqedone sulmuan sërish fshatrat: Vaksincë e Llojan dhe beteja më e përgjakshme ishte në Vaksincë. Atë ditë forcat e armikut përveç forcave të motorizuara përdorën edhe helikopterët. Brigada 113 në krye me Komandant “Tigrin” Fadil Nimanin rezistoi me të gjitha forcat që kishte në dispozicion dhe kjo betejë zgjati 24 orë. Gjatë kësaj beteje të përgjakshme ranë dëshmorë komandant” Tigri”, dy ushtarë, një civil dhe shumë të tjerë u plagosën. Pas betejës së Vaksincës forcat maqedone sulmuan Matçin. Në këtë betejë morën pjesë tri kompani të këmbësorisë dhe njësia speciale e Brigadës 113, të cilat ishin të përgatitura fizikisht dhe të pajisur mirë me armatime. Në Mateç luftimet zgjatën gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve forcat tona duke e mbrojtur me çdo çmim popullatën, forcave maqedone ia shkatërruan një tank, si dhe i shkaktuam dëme tjera ushtarake. Lufta në Sllupqan zgjati dy muaj pa ndërprerë dhe aty u zhvilluan shumë beteja. Sllupqani u shkatërrua tërësisht, por populli heroik në krye me UÇK-në ia dolën t´i mposhtin shumë herë forcat sllavo-maqedone.
 

 

 
    PASHTRIKU: Po, Beteja e Haraqinës?
    SHAQIRI: Beteja e Haraqinës është një kapitull i veçantë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Më 22 qershor 2001, pikërisht në orën 4 të mëngjesit, forcat maqedone filluan ta garantojnë Haraqinën (nga të gjitha anët) me kalibra të mëdha artilerike dhe raketore. Fshati u mbulua me gazra toksike. Forcat maqedone tentonin me çdo kusht të hynin në fshat, mirëpo njësitë tona ishin fortifikuar mirë në pozicione dhe me asnjë çmim nuk lejuan depërtimin e forcave armike. Vlen të theksohet se në mbrojte të Haraqinës ishte një Batalion i Brigadës 113 dhe njësia speciale e kësaj brigade. Forcat maqedone për të realizuar qëllimet e veta, përdorën aeroplanë, helikopterë si dhe raketat tokë-tokë, të cilat hapnin kratere deri në 7-8 m thellësi me diametër 80 mm. Gjatë betejës së përgjakshme në Haraqinë ranë dëshmorë shtatë ushtarë, ndërsa 26 të tjerë u plagosën rëndë. Beteja në Haraqinë zgjati tri ditë dhe pas tri ditësh me urdhër të SHP të UÇK-së i kemi ndërprerë luftimet. Pas ndërprerjes së luftimeve në Haraqinë ka ardhur një delegacion i NATO-s dhe OSBE-së në krye me diplomatin Piter Fejt për të biseduar lidhur me gjendjen e krijuar. Në bisedime, (që zgjatën dy ditë), përballë delegacionit ndërkombëtar prej 12 vetash, nga pala jonë ishte: Komandant Hoxha, Kushtrimi, Qufa dhe unë si ushtarak. Pas bisedimeve të gjata u mor vendimi që njësitë tona të tërhiqen nga Haraqina. Ky ishte edhe vendim i SHP të UÇK-së. Nga Haraqina u tërhoqëm me 50 automjete amerikane dhe u vendosëm në fshatin Nakushtak.
 
    PASHTRIKU: Dhe lufta në Maqedoni përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit?
    SHAQIRI: Po, lufta në Maqedoni përfundimisht mori fund me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Derisa kjo marrëveshje u mirëprit nga popullata, thënë realisht nga një numër i eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së ka pasur një lloj skepticizmi në këtë drejtim. Marrëveshjes së Ohrit i ka paraprirë demobilizimi i UÇK-së dhe ky proces u zhvillua në tri faza. Faza e fundit e demobilizimit u zhvillua më 27.08.2001, ndërsa unë u demobilizova më 26.09.2001. Meqenëse nuk kisha pretendime për të vazhduar karrierën ushtarake apo politike, më 28. 09. 2001 u ktheva tek familja ime në Gjermani.
 
 

 

powered by Beepworld