Përkujtim për jetën dhe veprën patriotike të Ismail Dumoshit

 

 

I S M A I L  D U M O SH I

BARDI I MENDIMIT POLITIK

I KTHESAVE TË MËDHA KOMBËTARE

 

Shkruan: Prof.Dr.Muhamet Pirraku

 

“Le të mos e nënçmojmë vlerën e faktit, sepse një ditë do të lulëzojë më një të vërtetë”!

( Henry David Thoreau )

 

Të shkruash për kohën dhe ngjarjet ku ke qenë i pranishëm me ndonjë rol, qoftë edhe episodik, të shkruash për një personalitet strumbullar në ngjarjet kthesa të historisë ku ke pasur ndonjë rol episodik apo të rëndësishëm, nuk është punë e lehtë, për faktin se asnjë të dhënë për Atë Personalitet nuk ke mundësi ta ofrosh të mbështetur pa e pasur dëshmi vetën tënde, punën tënde, aktivitetin tënd për krah Tij dhe të bashkëvep­rimtarëve -“Ai-Unë-Ne!” e që tërheq pas vetës rrezikun e mos gjetjes së masës në përpjesë­timin dhe pasqyrimin e fakteve me paanësi, në interes të ndriçimit objektiv të historisë, veçanërisht të pjesës së saj që krijohet nga individët idealistë, të “Klishesë” Linkoliane: “Nuk jam i obliguar të fitoj me çdo kusht, por jam i obliguar të jem i sinqertë; nuk është e thënë të kem sukses, por jam i obliguar që të jap çdo gjë nga vetvetja...!” - çfarë ishte Ismail Dumoshi,me shumë bashkëmendimtarë, së paku nga mesi i viteve të ‘60’ta të shek. XX deri atë ditë që u nda nga kjo botë (31 gusht 1988)[1].

Pa asnjë hezitim i Thash: “Ismaili nuk ishte i burgosur politik, ndaj nuk ka Dosje për pos asaj të shkollimit e të punësimit që i ka familja, por për veprimtarinë politike kombëtare të Ismailit burim e dokument janë bashkëveprimta­rët që vepruan përkrah Tij, ata që janë gjallë, të cilët mund të kenë ndonjë shënim notesi e ditari për aktivitetin e tij”. Ia përmenda disa emra të cilët për shumë çështje bashkëpunuan me Ismailin, e të cilët mund ta pasqyronin rrolin e Ismailit në akëcilën ngjarje dhe aktivitet arsimor ku ai ishte vlerë dhe strumbullar i zhvillimeve[2].

Të Madhin Ismail Dumoshi e kam njohur që nga fillimi i vitit shkollor 1960/61, përmes veprimtarit markant, mësuesit poet lirikë brilant për kohën, idealistit dritëplotë, Fazli Xhemë Greiçevcit, bashkë­ven­dës imi, por kontaktet e bashkëvep­rimit për çështjet politike konfidenciale me Ismailin nisën të çimentohen  pas martirizimit heroik të Fazliut (17 gusht 1964), më saktë nga fillimi i vitit shkollor 1964/65. Këso kohe në Prishtinë nisi konsolidimi organizativ politik i një grupi intelektualësh të rinj, të identifikuar  si “Çeta e Bajo e Çerqiz Topullit”, të cilët në vijim, për disa vjet, do ta lidhin aktivitetin politik të ilegales patriotike me disidentizmin patriotik shqiptar në radhët e veprimtarive politike, administrative, kulturore, arsimore, publicistike e shkencore institucionale legale[3].

 

Ismail Dumoshi

Muhamet Pirraku - 16 Mars 1969

 

Bërthamën këtij grupi fillimisht e përbënin katër studentë (Murat Blaku (Bajo, më i moçmi), Muhamet Pirraku (Çerqizi), Tahir Abdyli dhe Osman Leci) në kontakt me Ismail Dumoshin, këso kohe arsimtar i “Lëndës së gjuhë shqipe” në Shkollën Fillore “Emin Duraku” të Prishtinës, kurse nga fillimi i vitit shkollor 1965/66, e tutje, në Çetën “Bajo e Çerqiz Topulli” militonin fuqimisht: edhe Fehmi Pushkolli,Hasan Salaj, Gani Bobi, Demë Fetaj, Gjakush Qapari, Atdhe Gashi, Halil Alidema, të cilët studionin, punonin e jetonin kryesisht në Prishtinë e  rrethinë[4].

Shtëpia e Ismail Dumoshit, falë nënës- Nënëma­dhe jona, Zonjës Sadije, “Lokes”, ishte kthyer në strehë e sofër për gjeneratën e Ismailit që nga periudha e shkollimit të mesëm, në “Normale[5]. Këso kohe Ismaili ishte i martuar me mësuesen Shqipe Gashi- Dumoshi, (e cila si ta kishte lindur Nënëloke Sadija, ishte mbështetja shkëmb e Ismailit dhe Vitore e Shtëpisë Dumoshi. Është fakt historik se Familja Dumoshi veçanërisht nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta deri në amshimin e hershem të Ismailit, por edhe më vonë, për të gjallë të Nënëloke Sadijes (deri më 2002), e me kalimin në amshim të të birit të saj të vogël, Osmanit (më 2003), promete në rrugën e të vëllait, ishte një si ushtrimore për kalitjen politike patriotike të shumë gjeneratave. Të saktësojmë qartë: Nuk njoh asnjë individ i cili kaloi nëpër këtë “shkollë patriotike bujare dumoshiane” e të mos e ketë lënë një shërbim të shënuar për kombin në fushë të aktivitetit politik legal e ilegal, arsimor, publicistik, shkencor e letrar,  apo artistik[6].

Zonja Shqipe Dumoshi si veprimtare politike me përvojë, e me autoritet të madh, lozi rol të rëndësishëm në masivizimin e anëtarësimit të gruas në “Forumin e Gruas të Lëvizjes Demokratike Shqiptare” në Prishtinë e gjetkë, deri atje ku “fryma” e kishte bartur farën që e kishte kultivuar Ismail Dumoshi[7]. Nga fillimi i viti shkollor 1965/66 fillova nga puna arsimtar i “Lëndës së Historisë” në Shkollën Fillore “Emin Duraku” të Prishtinës, ku e gjeta një kujtesë me plot lëvdata për Ismail Dumoshin si kolegë dhe si arsimtari i shqipes, me autoritet të madh në radhët arsimtarëve dhe të nxënësve[8].

 Realisht gjatë gjithë kësaj periudhe si arsimtar, por edhe më vonë si “hulumtues shkencor”, krahas shokëve që i lidhte aktiviteti në “Çetën e Bajos e Qeriçizit”, isha shumë afër strategut politik, urtakut mendjendritur, Ismail Dumoshit, madje edhe vetëm për vetëm, dhe me një intimitet politik kombëtar reciprok. Këtu duhet të saktësojë faktin se Ismaili mund të ndiqej pas, pa droje së mund të përfundosh në humnerë, por ishte e pamundur të kopjohej e të përvetësohej sjellja dhe veprimi i Tij. Shumë herë më kujtonte një sentencë të Shekspirit: “Duaj të gjithë, beso vetëm disa, askujt mos i bëj keq!”[9]

Ne, shokët e “Çetës”, e kuptuam me kohë këtë “meto­dën konspi­rative” të Ismailit, dhe u përpoqëm ta vinim në jetë, kush më pak e kush më shumë në mjedise e kolektive punuese  të ndryshme. Ismail Dumoshi e dinte se e kisha si “pasion rutinor” të mbaja shënime “notes” dhe “ditarin e punës e të jetës”, i vetmi si i tillë nga “Çeta”, për faktin se edhe në prani të tij shënoja ndonjë “të dhënë” , sentencat që i dëgjoja, ose shkruaja ndonjë “varg poetik” me frymë antijugosllave[10]

  Meqë si “arsimtar i historisë” qysh nga viti 1965, pra, para “rënies së Rankoviqit” (1 korrik 1966), e jepja historinë kombëtare shumë përtej asaj që mundësonte “Planprogrami mësimor” për shkollat fillore e të mesme, Ismail Dumoshi, si një arsimtar me përvojë e më vonë edhe drejtor shkolle, vazhdimisht me ndikim të madh shoqëror në kolektivet ku punoi e në qarqet politike institucionale, më së njëherë me ka “qortuar” dhe udhëzuar se si ta kamufloja veprimin tim para nxënësve dhe për mënyrën e administrimit të “orëve” në “Ditarët e Mësimit[11].Pas gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 1967/68 hoqa dorë nga mësimdhënia dhe u përcaktova kryekreje për Dijen historiografike-alba­nistike[12].

Ismail Dumoshi nga maji i vitit 1968, kur do të lidhet drejtpërdrejt me qarqet shkencore kombëtare pra politike të besueshme të Shqipërisë të cilën do ta thellojë veçanërisht nga fillimi i viteve të ’70-ta, kur mori postin e Drejtorit të Shkollës së mesme në “Eletktoekonomi”[13]. Nuk kam të dhëna për datën se kur filluan përgatitjet në nivelin Tiranë- Prishtinë për shënimin e “500-Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut”[14]. Dihet se në Tiranë pikërisht për përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (17 Janar 1468), u mbajt “Konferencën II e studimeve albanologjike”, kushtuar “Epokës së Skën­der­beut”, ku mori pjesë dhe një delegacion shqiptarë e serbë nga Kosova[15].

Në përputhje me frymën e këtij liberalizmi të marrëdhënieve kulturore Kosovë- Shqipërinë, sipas iniciativës së Ismail Dumoshit edhe “Çeta e Bajos dhe e Çerqizit” i hyri një “aventure kulturore”, e cila, si jashtë ­institucionale ende ishte veprimtari me rreziksh­mëri individu­ale e kolektive. Ishte krejt fundi vitit 1967, kur Ismaili na e prezantoi idenë që ta përgatisnim një recital me vargje të zgjedhura nga vepra “Garda Krutane“ të shkrimtarit Kolë Jakova, ose me vargje të zgjedhura nga “Lahuta e Malcisë” e Patër Fishtës[16]. Së bashku me Ismailin, Atdhe Gashin e Gjakush Çaparin[17] e analizuam, këtë ne vendin më të besueshëm për Ismilin, pikërisht në “Kajami[18]. Përgatitja dhe incizimi i recitalit në magnetofon janë realizuar në shtëpinë e Ismajl Dumoshit me regji profesionale të Atdhe Gashit. Veprimtarët e “Çetës” recitalin e shumëzuan në disa kopje dhe e shpërndanë në mjediset shkollore e studentore me porosinë: “Shumëzoje dhe shpërndaje!”[19]

Nuk kishte më shumë se dy muaj para se të mbahej “Simpoziumi për Skënderbeun”, Ismaili e shtroi për diskutim “nevojën për organizimin e një aktivitet tjetër kulturor!”, pikërisht me studentet. Ishte përcaktuar për vënien në skenë të një drame që do t’i kushtohej ‘500- Vjetorit të Skënderbeut!”. Në këtë dramë të gjitha rolet do t’i luanin studentet në përkujdesjen profesionale të regjisorit që do ta zgjidhnim ne[20]. I cakërruam gotat me “Skënderbe” në shenjë aprovimi të iniciativës, ndërkaq Tahir Abdyli u tregua më “çallëshnik”: “Trimin e mirë me shokë shumë” e kërkon momenti historik!” Ismaili e quajti “zgjidhje ideale” edhe propozi­min tim në vijim se për regjisor duhet të angazhohet “Mustaqja (Kristë Berisha) dhe “Miku” (Atdhe Gashi). Të saktësoj edhe një herë një virtyt të Ismailit: kur një problem e shtronte për diskutim, kurrë nuk ndo­dhte t’i kundërvihej propozimit të bashkëbiseduesve. E shpë­r­ndante përgjegjësinë me të tjerët[21].

 Por këtu e kam borxh ta saktësoj vetëm mendimin e përmble­dhur të Ismailit më datën 9 Maj 1968, pak para se të hapej “Simpoziumi për Skënderbeun”: “Me dramën  do të kemi suksese më shumë se sa i kam pritur. Vërtet mirë ka thënë Skënderbeu: Trimi i mirë me shokë shumë...!”[22] Sa mund të nxirrja përfundime nga rrjedhimet pozitive për rritjen e vrullshme të zgjimit të kombëtar të rinisë studentore e shkollore, Ismali Dumoshi, që në ditën e parë të arritjes në Prishtinë të “Delega­cionit” nga Tirana, ra në kontakt politik intim me disa studiuesit në krye me Profesor Aleks Budën dhe së bashku kishin shkuar mysafirë në familjen e Doktorit të syve, Xheladin Deda[23].

Nuk e di cilësinë e të qenit i pranishëm aty i Ismailit, por për një kohë të gjatë e kam ruajtur një “distinktiv të Skënderbeut”, që Ismaili ia kishte dhënë Tahir Abdylit të ma sillte në banesë[24]. Kam pasur informata të sakta se Ismaili “distin­ktriva të Skënderbeut” u ka dhënë, për t’i shpërndarë edhe bashkëveprimtarëve Jashtë “Çetës B&Ç”[25] .Vërtet, këtu e kërkon vendi të sjellë një mendim timin të cilin ka kohë që e kam  formuluar e botuar, se: “Brezi shqiptar i ’68-ës u krijua në bankat e shkollave të mesme në qytetet e Kosovës dhe në fakultetet e Prishtinës e gjet­kë në Jugosllavi, nga kapërcyelli në vitet ’60. Deviza politike e shoqë­ro­re e këtij brezi mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Dielli lind dhe perëndon në Shqipëri!” Njëri ndër fanarët më dritëp­lotë të këtij brezi ishte Ismail Dumoshi[26].

Më 9 maj pas hapjes së simpoziumit për “Skënder­beun”, Ismail Dumoshin e “njoha” me Prof. Irena Senkijeviq, e cila fliste një shqipe  të çalë me theks rus. Meqë edhe ajo e kishte pësuar me rastin e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri – Rusi, gjatë qëndrimit në Prishtinë prej 8- 13 maj 1968, kohën e lirë do ta kalojë në shoqëri kryesisht me Dumoshin, Pirrakun dhe Tahir Abdylin. Ismaili madhështor në ndeja, pak si bohemë, pinte me hijeshi dhe shtihej “sevdali”, e me hokat e tij krejt natyrore, shumë karakteristike, bënte që Zonja Irena të ndihej si midis miqve të periudhës së studimeve në Tiranë[27].

Nuk mund të kalohet pa e përmendur edhe këtë fakt: Në përshëndetjen që Profesor Buda i bëri Simpoziumit, midis të tjerave konstatoi se “Delega­ci­oni nga Shqipëria e ka sjellë për Organizuesin e Simpoziumit” një bust të Skënderbeut  dhe dy filma dokumentar[28]. E di saktësisht se para se të vendosej për t’u shfaqur filmi i dytë para pjesëmarrësve, atë e shikuan: Ismail Dumoshi, dhe Murat Blaku nga  Çeta” e së bashku me ta, edhe  Hasan Mekulli e  Vehap Shita[29].

Ajo që më duhet të saktësoj qartë është fakti: Ismaili para se filmi të shfaqej për pjesëmarrësit në Simpozium, më tha: “Çerqiz, këta janë shumë të kujdesshëm, duhet të mësojmë prej Tyre..!”[30] Meqë dy personat e gjallë nuk mundën ta saktësonin rrugën si u zgjodhën këta katër veta, as kush ua besoi detyrën “...për ta shikuar filmim para se të shfaqej...!”, me jep dorë ta shfaq publikisht atë që e kam bluar në kokë vite me radhë, madje edhe nëpër çeli të burgjeve: Ismailit ky film ka mundur t’i besohej në të njëjtën kohë kur iu besuan “distingtivat e Skën­der­beut”, në ndejën  Dr. Xheladin Deda. Dikush ose secili lexues imi mund të më pyet: “Po shihet se paske qenë shumë i afërt me Ismailin, pse nuk e ke pyetur se kush  atij ia besoi atë detyrë aq delikate dhe prej nga në duar e tij ai film...?!?” [31]

Nga fundin i majit 1968 fryma e demonstratave studentore marksiste-leniniste të Parisit kaloi në Italinë e gjetkë në Evropë, por pllakosi më gjithë fuqinë mbi Universitetin e Beogradit. Meqë fakultetet e Prishtinës ishin filiale të Universitetit të Beogradit, ma merrte mendja se ai vlim duhej t’i përfshinte edhe studentët e fakulteteve të Prishtinës, ndaj më 1 Qershor 1968, “në emër të studentëve kosovarë të Universitetit të Beogradit” ia drejtova një “Letër” (pamflet) “Kryetarit të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komuni­stëve të Jugosllavisë –Titos”[32].

E di së në “Letër” kërkoja të drejta të barabarta të Shqiptarëve me të popujve të tjerë të Jugosllavisë mbi bazë të programeve të PKJ-së para e gjatë Luftës së Dytë Botërore[33]. Këtë pamflet e lëshova në “arkën” e postës të Stacionit të trenit vetëm pak minuta para se të nisej treni i mbrëmjes për Fushë Kosovë. Me 2 Qershor 1968, ditë e diel, së bashku me Tahir Abdylin dhe vëllain tim, Habibin (mësues dhe student i drejtësisë) e “çuam nga një” me Ismail Dumoshin, në “Kajami[34]. Si zakonisht, duke i cakërruar me “Skënder­beg”, biseduam për nevojën që edhe ne në Kosovë “të lëviznim...!” Ismaili, duke më njohur si “Paranë e kuqe”, kërkoi që në vijimësi t’ua pasqyroja me besnikëri ngjarjet që do të zhvilloheshin në Beograd[35]. Pasi “u binda” se “paskam vepruar mirë mepamfletin” adresuar: ”Kryetari të KQLKJ- Titos”, e nxora kopjen e pamfletit dhe ua lexova. Ismaili dhe Tahiri e pëlqyen përmbajtjen dhe kërkesa e kamuf­luara me kërkesa marksiste-leniniste si “Porosi të Titos”, por ma tërhoqën vërejtjen për kujdes “që të mos rrezi­ko­hesha...!” [36]

Me 2 qershor, e diele, me trenin e mbrëmjes udhëtova për Beograd[37] dhe nga 3 Qershori 1968, çdo pas dite, e përcolla nga afër ecurinë e demons­tratave, i siguroja “Proklamatat e “Këshillit Aksionar të Demonstratave” dhe të “Redaksisë së gazetës ‘Student”[38]. Në margjina dhe në shpinë të këtyre dokumenteve pasqyroja, me laps, zhvillimet në frymën politike të gjeneratës sime-“shqiptare- enveriste”[39], dhe ia dërgoja Ismailit. Ja vetëm dy konstatime të mia që pasqyrojnë në një masë reale mendimin politik publik të Ismailit me bashkëvep­rimtarët që militonin në  Çetën B&Ç Topulli”.

 

Nanlokja Sadije

 

 Shënimi në vijim është i datës 3 Qershor 1968, nga ora 17 e 5 min, i shënuar në margjinë të proklamatës së “Këshillit Aksionar të Demonstratave” e të “Redaksia e gazetës ‘Student’” pas një përballje të përgjakur të Studentëve në “Beogradin e Ri” me  forcat e  “milicisë speciale: “Me keqardhje e lexova këtë letër. Me dhimben studentët, punëtorët dhe mbar vegjlia jugosllave dhe botërore. Edhe pse nuk kam marrë pjesë, shpirtnisht jam i tyre dhe humbja dhe fitesa e tyne janë të mijat. Rrnoftë Tito! (“Kfiska” e porositur nga Ismaili që nga viti 1965) MPirraj”[40].Duke e komentuar “Programin  politik aksionar”  datës 4 Qershorit 1968, me kërkesa    theksuara politike, sociale, ekonomike  internacionale - marksist­e- Leniniste, midis  të tjerash kam konstatuar: “Sikur të mos punojsha në SIP- sekretariat për Punë të Jashtme, ku hulumtoj dokumente për historinë kombëtare - me vleftë të paqmuer , këtë amblemë, mu tash do ta ngjitsha në gjoks dhe pa të as në shtrat nuk kisha ra. Tjerat gjëra nuk më pengojnë. Djalit, vajzës, grues, vllaznive e tjerëve farë e fisë u kisha dërguar vetëm nji letër me këtë përmbajtje: Të dashur të mij, kjo amblemë e kuqe vlenë ma shumë se dhimbja dhe dashuria e juaj! Sot ora 23.27, data 5 qershor - 68”[41].

Nuk gaboj nëse rikonstatoj se ky ishte përcaktim ideologjik i Ismailit me shokët në Çetën B&Ç Topulli”, e që vinte si jehonë e mendimit politik zyrtar të jetësuar  Shqipëri. Të saktësojmë edhe këtë fakt: Universiteti i Beog­ra­dit tashti quhej “Universiteti i Kuq Karl Marks”, kurse për hyrje në fakultete duhej të pajiseshe me një emblemë, ku dominonte ngjyra e kuqe[42]. E dija me saktësi se Ismail Dumoshi me bashkëveprim­tarët në “Çetën B&Ç Topulli”, i pajisur me të dhëna të plota që ia dërgoja në vijimësi për ecurinë e Demonstratave në Beograd, e që nuk i pasqyronte shtypi i kohës, as TV-të dhe radiot, i kishte hyrë përgatitjeve për ta ngritur rininë studentore, shkollore e punëtore me kërkesa kombëtare shqiptare të maskuara me kërkesa sociale ekonomike e vetëqeverisëse[43].

Për fillin e përgatitjes së demonstratave në Prishtinë, madje ishin në dijeni edhe strukturat politike të Kosovës. Këtë fakt ma konfirmuan tërthorazi Ali Shukriu dhe Alush Gashi, më 4 Qershor 1968, në një zyrë të Kuvendit të Serbisë në ditën që Aliu ma besoi dokumentin intern: “Zabeleśka o razgoru Predsednika Savezne skupštine E. Kardelja sa delegacijom Autonomne Pokrajine Kosova i Metohije, 21. III.1967.god.” (Shënime nga biseda e Kryetarit të Kuvendit Federativ, E. Kardelit me delegacionin e Provincës Autonome  të Kosovës e Metohisë, 21 Mars 1967) e shkruar në 37 faqe makine në gjuhën serbe me grafi latine[44].

 Para se të ma besonte këtë dokument, Aliu saktësoi: “Një grup i intelektualëve në Prishtinë po mendonin për organizimin e Demonstratave studentore edhe në Prishtinë, ku do të kërkohej avancimi i pozitës kombëtare të shqiptarëve dhe i statusit shtetëror të Kosovës nga ‘Autonomi’ nën Serbinë, në statusin ‘republikë’ njësi federale e Jugosllavisë”. Kjo që tha A. Shukriu ishte plotësit e vërtetë. Njëri ndër ata “intelektual” isha edhe unë, informatori dhe lidhja kryesore me promotorin e këtij planifikimi, Ismail Dumoshin[45].

 Vërtet, sa munda të vigjiloja, Ali Shukriu kishte informata të sakta për interesimet e mia për demonstratat studentore të Beogradit, se ishte vu në dijeni për “Pamfletin” e “studentëve kosovarë”, adresuar Titos, më 1 Qershor 1968 se dinte për rolin tim në planifikimin e Demonstratës në Prishtinë, ndaj me telefonoi përmes Zyrës së Kiçes (pejan, Shef i sallës së leximit në arkivin e SIP-it, t’i shkoja “për një kafe...![46]

 Aliu e kishte nxjerrë mbi tavolinë dokumentin “Zabele­śka”, dhe me një siguri i hapi faqet ku ishte përmbledhur diskutimi i tij, e sikur më urdhëroi “Lexoje, e  mëso...!”, dhe doli nga zyra për një orë të plotë. Nga sjellja e tij sikur e kuptova së po më sugjeronte se cilat kërkesa duhej t’i theksonim në programin e Demonstratave studentore në Prishtinë! Këtu po citoj shqip fragmentin e shënuar nga përmbledhja e diskutimit të A. Shukriut e që korre­s­pon­donte me mesazhin e asaj që i kisha shkruar Titos më 1 qershor, si dhe me atë që ma tha gojarisht: “...Ai (Aliu- M.P.) theksoi se gjatë trajtimit të krejt kësaj çështje duhet para se gjithash të nisemi nga kërkesa që në suaza të sistemit tonë vetëqeverisës njeriu punues në Kosmet duhet të siguroj, dmth. që gjërat të shikohen nga poshtë- lartë e jo nga lartë-poshtë, që në një masë u vu në pah në disa diskutime të deritashme në Kosmet, posaçërisht midis inteligje­ncies, ku gjithashtu u hapën shumë çështje për zgjerimin e të drejtave të autonomisë, për lidhjen e saj drejtpërdrejt me federatën, si edhe për shndërrimin e saj eventuale në republikë...”[47].

Të nesërmen, më 5 Qershor 1968, pak i trimëruar edhe nga ajo që ma konfirmoi Ali Shukriu, me trenin e pasdrekes ia dërgova Ismail Dumoshit një pasqyrim të hollësishme (dy faqe A-4) për rrjedhën e “Demonstratave në Beograd”, me synim që të përfitohej edhe si përvojë për Demons­tra­tën që po planifikohe­j të organizohej në Prishtinë. Informatën e kualifi­kova:

 

“E besuar!”  5. VI-1968 Beograd,

 I nderuari vëlla, 

Ndoshta më moti, keni prit që do të merrni ndonjë letër nga unë. E di që s’ka shum mot qe ju kam shkruar, por zhvillimi i situatës, tash së voni, në Beograd - u bënë të mendoni për mua!, por ju e dini që mua ata... në mesin e tyre nuk më pranojnë, sepse, edhe pse ideologjikisht plotësisht jam i tyre, në vepër- jo!? Të marrunat e mija, dasht e padasht, me vejnë në radhët e birokratvet- kapitalista, të cilët koha po i gjykon dhe ka për t’i gjykue!?

 I nderuari vëlla, me këtë letër kam ndërmend, shkurtimisht me të njoftue me situatën...? Shtypi. Radio, televizori - s’kanë asgjë të bëjnë me realite­tin...!? Lëvizja studenteske është masovike, dhe në bazë të shenimeve që jepë Këshilli akcionar, i krijuar prej 12 profesorëve dhe studentet, mbanë nja 10-11000 veta. Ata kanë mjetet për informimi Altoparlante dhe shaptillografe në çdo fakultet.

 Lajmet për lëvizjen studenteske, nepër mes të buletineve - afisheve dhe radios lokale - altoparlante janë të pa ndërprera. Para fakulteteve, qetësinë e mbajnë kujdestarët me traka të kuqe në krah. Muret e fakulteteve janë përplotë parolla, e mbi to mbretnin fotografija e Titos, Marksit e Leninit. Ka mjaftë citate marksiste. Thirrje puntorëvet, ushtarëve dhe studentet në luftë për ta vazhdue revolucionin- revolicija joś nije zavrśena!, Dole knezovi socijzlizma!, Birokrati sebi ruke od rasdničke klase!- e të tilla parolla. Pra përpjekja e disa funkcionarëvet që këtë Lëvizje ta kualifikojnë si vepër të shovenistave dhe nacionalistave- as që ka  të bënjë me këtë gjë!?...

Kjo është luftë klasore, historikisht e drejtë, edhe pse nuk na pelqenë ne...!? Me lëvizjen studenteske është tuj udhëheqë kolegjiumi i formuar nga trutë e progresit- dhe shkencës- profesorët...

 Qe të shkruej për ngjarjet në Beogradin e Ri - nuk e shof për arsye...? Krejtë çka  mundem me të thënë- historia nuk na mëson me shembuj të tillë; as policija frankiste nuk ka veprue ashtu...!? duhet të përgjigjet dikush? Millosh Miniqi është treguar Lider i vërtet...!?

Tani demonstratat vazhdojnë edhe ma me hov, edhe ma të organizuara, të qeta, të paqesë. Pranë fakulteteve rendom ma së nga 2000 student... me ta janë përzier njerzë të sigurimit dhe reaksionar, çdo kush rrugën e vetë- edhe studentët të vetën - Nastavljamo do kraja! Institucionet dhe arteriet kryesore të qytetit i rujnë  kordonet e policisë. Ato ju përngjajnë vorreve... o çfarë dukunije që ta brenë shpirtin. Tanë kanë helmeta  mbi kokë- progresin me hekur m’e ndal, me forcë!? Pranë dyrëvet të institucioneve figurojnë cisternat e montuara në burim, dhe marica...!? Institucionet e bllokuara, edhe pse studentet nuk mendojnë me bënë barbarizëm. Për këtë ndoshta sepse këtë mund të frytëzojnë elementet negative - regresive... le ti ruajnë! Por, në çdo të rinj kanë dyshim i këqyrin me mëni! Unë kalonja rrugës. Kçqurnja dhe lexonja  parollat e sytë e zhndarvet të pa edukuar ktheheshin ka unë... përcjellje- Ashtu i edukoi Rankoviqi...!?

Është edhe një gjë interesant: në fakultete nuk mundej të hyj çdo kush vetëm studentet. Ata kanë embleme  kryesore- të kuqe- simbole  të Unierziteti të kuq. Kështu po e thirrin,tani, këtë  Univrzitet...!?

Do të jem fatlum sikur të më  shkrueni për  situatën ndër ne!       

       Ju shkruan  Pirraj[48]

 

            Këtu sikur detyrohen të bëjë një sqarim: Në dy citatet e më sipërme nga notesët si edhe në dokumentin e mësipërm shihet një tendencë imja për të përdorur  fjalë të “toskërishtes” katër vjet para së të aprovohej në nivel të kombit “Gjuha letrare shqipe e njësuar”. Kjo ishte një kërkesë patriotike  e Brezit të ’68-tës: “Dielli lind dhe perëndon në Shqipëri!”[49]

 Në informatën e më sipërme si edhe të tjerat, i adresoja me “I nderuari vëlla!”[50], sipas marrëveshjes së 2 Qershorit ’68, preventivë për siguri në rast se “letra” do të binte në dorë të “Udb’ës[51].

Të saktësojë faktin se Ismailit ia përcillja materialet me një ditë pas botimit me shënime të mia pasqyruese, por këtu të mjaftohemi vetëm me përfundimin nga informatës e së shtunës, më 8 Qershor 1968: “Konsta­tim: Lëvizja studente u thye!? Shtypi dhe lajmet nëpër mes të radios e Televizori, kanë deformuar të vërtete dhe është humbë shpresa në studentet - ndër masë. Ata po paraqiten si komplotist për pushtet ?!... Me 10-VI-1968, po flitej se duhet të filloj puna e rregullt në fakultete?! Janë bashku të gjitha fuqitë- elementet burokratike dhe lëvizja po shuhej!...? Mendja ma merr, se një numër i dukshëm studentësh dhe profesorësh do të nxjerrej para gjyqi. Kështu është disponimi i disa elementave. Këtë po e nxjerri nga bisedimet që po zhvilloj, rastësisht, me do oficer, nëpunës etj. Ta shohim!”[52]

Parashikimet e mia dolën të sakta. Gjatë dy ditëve në vijim u zhvillua një fushatë politike veçanë­risht kundër profesorëve e studentëve anëtarë të“Këshillit Aksionar të Demonstratave”, flitej me emra edhe për të arrestuar e për të larguar nga LKJ’a, kurse më 10 Qershor filloi mësimi i rregullt në të gjitha fakultetet e Universitetit të Beogradit[53] . Pushimin e fundjavës e kalova në Prishtinë dhe më 16 Qershor 1968 së bashku me Ismailin, Tahirin e Habibin e “çuam nga një” në “Kajami”, dhe së bashku morëm vendimin: “T’i presim zhvillimet në Beograd...!” Korriku së paku në Kosovë, u përcoll pa shumë lëkundje, si rrjedhim i “pushimeve  verore”, por muaji i gushtit e veçanërisht fillimi i shtatorit 1968, shënoi një kthesë që do të sjell në Demonstratën e 27 Nëntorit 1968 [54].

  Kur i analizoj zhvillimet, me një distancë historike të nevojshme, mendoj se merita për këtë kthesë historike, i takon  edhe disidentizmit kombëtar shqiptar në radhët e organizatave të LKJ’së në kolektivet punuese dhe në komitetet komunale të LKJ’së, të mbështetur nga ish’ drejtuesit politik e ushtarak të LANÇ’së, të cilët në mënyra gati të hapura i ushqenin kërkesat politike për domosdonë e ndryshimeve të pozitës kushtetuese të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, realisht për shkëputjen e lidhjes së dhunsh­me me Serbinë, të imponuar në Kuvendin  e KANÇ të “Kosmetit” të mbajtur në Prizren më 7-8 Korrik 1945[55]. Këtu më duhet të ndalem shkurtimisht vetëm në “Mble­dhjen e Aktivit Politik të Prishtinës” të 6 Shtatorit 1968, dështimi i së cilës krijoi shkas për vënien e nxënësve, studentëve dhe punëtorëve në Lëvizje[56].

Në këtë mbledhje diskutuan dhe replikuan: Isak Musta­fa, Mahmut Bakalli, Dr. Dervish Rozhaja, Ali Hadri, Jova Pećenović, Ejup Statovci, Cica Patërnogić, Asllan Fazlija, Idriz Rexha, Jova Pećenović, Hajredin Hoxha, Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Cica Patërnogić, Dr. Mark Krasniqi, Mahmut Bakalli, Iljaz Kurteshi[57]. Nga diskutimet e shqiptarëve dhe kundër­sh­timet e serbëve lidhur me kërkesat shqiptare për ngritjen e statusit të autonomisë së Kosovës në statusin Republikë - njësi fede­ra­le e Jugosllavisë, e për barazimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve me të popujve ju­go­sllavë, i legjitimoi kërkesat historike të Rezo­­lutës së Bujanit të 2 Janarit 1944 për të drejtën e Kosovës në vetëvendosje[58].

  Kjo “Mbledhje” nuk vazhdoi  më kurrë, kurse në kuluare që të nesërmen nisi të flitej se: “thirrja e saj ishte imponuar nga disa nacionalist shqiptarë, ndaj të cilëve do të merren masa politike!” Me 10 shtator në mbrëmje, së bashku me Ismailin e Tahirin[59], e çuam nga një “Skënderbeg” në Kajami”. Ismailit i folëm për atmosferën në “mbledhjen e 6-7 shtatorit, dhe ia lexova shënimet nga diskutimet. Si gjithmonë i vëmendshëm e gjakftohtë, Ismaili, ma shtrëngoi dorën për “pasqyrimin e frymës politike” të asaj ngjarje dhe midis të tjerash konstatoi: “Çerqiz, duhet t’i presim zhvillimet, se me gjasë po i vije koha planit për demonstratat e menduara në fillim të Qershorit!” Në këtë frymë që të nesërmen kreva një aktivitet qartë propagandistik kombëtar, një “Pamflet” në disa faqe ia drejtova KK të LKJ’së së KSAK-së[60]. Meqë nuk mund ta kujtoj përmbajtjen e Pamfletit të mjaftohemi me “përmbledhjen” e mbrojtjes sime nga shefi i ekipit hetues, Sabah Muhaxheri, më  2 Shtator 1981, si “vazhdim i procesve­rbalit të dt. 8. 08 1981” të gjykatësit hetues Vahid Halili:

 ”Në shtator  të vitit 1968 i kam prezantuar mbledhjes së aktivit politik  të Prishtinës, në të cilën është diskutuar që Kosova të ngritet në Republikë. Kjo ka qenë e inicueme prej organeve shtetërore. Por në atë mbledhje është bërë një përçarje në mes komunistëve serb dhe shqiptarëve dhe gjithashtu edhe në mes të shkencëtarëve serb e shqiptar. Serbët ishin kundra asaj që Kosova  të bëhet Republikë, kurse shqiptarët për atë. Sidomos më ka pas prekë diskutimi i Cica Paternogiqit, e cila patë thënë se shqiptarët e Kosovës kanë dy atdhe[61] njena Kosovë e tjetra përtej udhe[62] në Shqipëri[63]. Kjo ngjarje më patë shty që me 11 shtator 1968 t’ia drejtoja një letër anonime Komitetit Qendror të LK për Kosovë e Metohi me titull: “Leni provokimet!!!” Unë kam qenë i mendimit se ajo tezë nuk është dashur të shtrohet fare për të dështuar, sepse kjo patë pru deri te përçarja  e Masave”[64].

Për mendimin tim të mbështetur në shënime autentike, mesi i Shtatorit 1968[65] shënoi fillin e përgatitjes së Demonstratës me të cilën do të shënohej Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht në ditën e hapjes së Kuvendit Gjithëkombëtar Shqiptar të Vlorës, në pas drekën e  27 Nëntorit 1912. Barrën e përgatitjeve të Demonstratës së 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë e rrethina, e bartën veprimtarët e lidhur në “Çetën e Bajo & Çerqiz Topulli”, me Ismail Dumoshin korife që nuk njihte dështime[66]. Tetori i vitit 1968 nisi me manifestimin e disa të pakënaqësive publike të punëtorëve në frymën e Kërkesave  të gusht- shtatorit për avancimin e statusit të Kosovës në republikë. Këto vlime do të përkrahën me demonstrata të nxënësve të shkollave të mesme në Prizren, (më 6 tetor), në Therandë (më 8 tetor), në Pejë (më 19 tetor 1968[67].  

Gjatë muajit tetor dhe pjesës së parë të nëntorit 1968 punova natë-ditë në zgjedhjen dhe mbarështi­min e dokumenteve në “panotë” e ekspozitës: ”Alfabeti Shqip nëpër dokumente arkivale, me legje­nda përmbajtjesore për akëcilin eksponat[68]. Kjo ekspozitë eveniment kulturor e shkencor që jepte mundësi për ndikimin në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të nxënësve, studentëve të punëtorëve dhe të masave qytetare, ndaj për këto qëllime edhe e shfrytëzuan maksimalisht veprimtarët e “Çetës së Bajo & Çerqiz Topulli”, veçanërisht prej datës 14-22 Nëntor 1968, gjatë kohës sa ishte e hapur në Teatrin  Krahinor në  qendër të Prishtinës, por shumë prej tyre vinin edhe në qytetet të tjera gjithandej në Kosovë. Meqë ishin kryesisht si arsimtarë të historianë, të gjuhës dhe letërsisë shqipe, publicistë e punëtorë shkencorë, shpesh  edhe me zëvendësonin në rolin e cicëronit të përhe­rshëm[69].

Që nga hapja solemne e ekspozitës në Prishtinë, Ismaili kthente shpesh, për të më informuar  edhe për ecurinë e përgatitjeve për “Shënimin kolektiv të Ditës së Flamurit!”, por edhe për konsultime. Për  dy raste kur kërkoi ndihmesën time sublime, më janë ruajtur edhe “notesët”, pikërisht më 17 Nëntor dhe 23 Nëntor 1968. Në notesin e datës 17 Nëntor, midis të tjerave qëndron: “Rreth orës 16 erdhi Ismail Dumoshi. Me gjeti  të hidhëruar[70]. Më ndau dhe më porositi të shiheshim në “Kajam”. Më tha merri me veti Proklamatat e Beogradit të Qershorit dhe Shënimet nga Aktivi Politik të Prishtinës, duhet të punojmë diçka, ka ardhur koha. Eja vetëm ti në orën 21. E kreva detyrën... Pimë konjak, Zoti na ndihmoftë...![71]

 Me veti i mora edhe kopjet e dy pamfleteve, të 1 Qershorit dhe të 11 Shtatorit 1968. E quam nga një me shpejtësi dhe Ismaili diktoi: “Qu!” Shkuam në shtëpinë e tij. I hapëm dokumentet dhe punuam mbi dy orë rreth konceptimit të “Fjalimit”, duke  u përqendruar në formulimin e kërkesave me të cilat do të përmbyllej “Fjalimi”, por dhe konceptimin e tekstit të parullave që duheshin të viheshin në “transparente[72].

  Realisht, kopjuam diçka nga kërkesat e prog­ra­­meve të Demonstratave të Beogradit, i përshkruam disa kërkesa nga dy Pamfletet e mia,  të gjitha duke i modifikuar me kërkesat që i shtroi Aktivi Politik i Prishtinës. Për hir të realitetit historik, më duhet të saktësojë se preferoja të shkonim me 10 Kërkesa si një “Dekalog” nacional shqiptar[73]. E di saktësisht se Ismailit ia diktova edhe tri kërkesa të cilat gjatë redaktimit dhe modifikimit të tekstit ishin hequr: “Të ngritët Universiteti në Prishtinë”, Vetëvendosje për shqiptarët në Jugosllavi!”, dhe “Statusi autonom i Kosovës të ngritët në Republikë-njësi federale e Jugosllavisë!”[74] Për hir të fakteve historiografike më duhet të saktësojë se një “dorë vigjilente” i ka zbutur konceptet  nga teksti fillestar, preventivë për mbrojtje në një gjykim të pritshëm të “Organizatorëve[75].  

Më tutje Ismaili me shokët e “Çetës” e  të “Grupit të studentëve, që do të identifikohet si “Komiteti i Demostruesve” kanë punuar në formulimin dhe redaktimin e “Fjalës” të cilën më 27 Nëntor do ta lexojë i vëllai i Ismailit Osman Dumoshi, student i “Teknikut[76], si edhe shumica e shokëve në grupin e “Fidainjëve për kurban të lirisë” - “Komiteti i Demost­ru­esve[77]. Realisht, vetëm më 21 nëntor u ftova ta jepja ndihmesën time për fazën gati përfundimtare të organizimit të Demonstratës së 27 Nëntorit 1968[78].

Rreth orës 21 së bashku me Gani Bobin, Demë Fetën dhe Tahir Abdylin shkuam në “Teqenë” e Ismalit. Pasi e quam nga një “Skënderbeg”, ndonëse Ismaili dukej pak i lodhur, tha me shaka: “...Jemi  nga fundi-Veç me i pre e me i ngarkue!”, e si asnjëherë tjetër, preu: “Sonte duhet t’i saktësojmë detyrat kush çka mund të ofrojë për masivizimin e demonstratave dhe për ruajtjen e  rendit, që ato të mos eskalojnë në ndonjë dhunë që do ta përdorte Udba si adut për tortura e burgosje...! Të propagandojmë “vetëm në katër sy!” [79]. Në vijim Ganiu e lexoi edhe tekstin e “Fjalimit”, i rrahur në makinë shkrimi. Ai gjatë leximit i përmirësoi disa fjali e gabime teknike. Sa munda ta perceptoja, ishte koncepti i 17 Nëntorit pa ndryshime esen­ciale[80].

Pamje nga demonstrata, më 27 Nëntor 1968 në Prishtinë.

 

Deri me datën 22 Nëntor, në mbrëmje isha me ekspozitë në Foajeun e Teatrit Krahinor dhe të gjitha vizitat e vizitorëve i shfrytëzova edhe për detyrën e marrë në takimin e 21 nëntorit. Shumë ish nxënës të mi, tashti edhe studentë, u fola edhe për “dhjetë kërkesat që do të kërkohen, madje u kërkova që posaçërisht të brohorisnin për “Universitet!”, “Vetëvendosje!”, e “Kosova Repub­likë!”[81] Në mbrëmjen e 23 nëntorit 1968 shëtitëm në “Korzo” së bashku Ismailin, Tahirin, Muratin, Halilin e Ganiun. Ismaili, vigjilent si gjithherë, herë me njërin e herë me tjetrin e bënte “një rreth” dhe me atë rast, “në katër sy”, jepte detyra dhe pranonte këshilla[82]. Më 25 Nëntor në mëngjes Ekspozitën e barta në Mitrovicë[83]. Më 26 nëntor në “Korzo” shëtitëm me Muratin, Tahirin e Osmanin, të cilët sa ishin kthyer nga Besiana, me detyrë ngaEminenca e kaltër” (Ismail Dumoshi), për të propaganduar për masivizimin e demonstra­tave të së mërkurës më 27 Nëntor 1968, aty, pas “Namazit të Drekës!”[84].

Këtu më duhet të saktësojë se falë rolit të Eminencës së kaltër” në përgatitjen e demonstratave të 27 Nëntorit 1968, shumë veprimtarë të “Çetës Bajo& Çerçiz Topulli”, personalisht ose me anë të të besueshmëve, para e pas demonstratave, informuan përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë, e të disa shteteve të tjera, në Beograd, Sofje, Bukuresht, Budapest, Vjenë, Stamboll, Ankara, e Selanik, për gjendjen e nder dhe shpërthyese në Kosovë dhe në tokat shqiptare të tjera nën pushtimin e Jugosllavisë[85].

  Aty kah dreka e 27 Nëntorit 1968, një grup i vogël i nxënësve të Gjimnazit të Mitrovicës kishin arritur të dilnin në rrugë, dhe atyre do t’u bashkohen një grup i qytetarëve. Pas disa minutave në sallë ku ishte ekspozita arritën dy “detektivë”, njëri brenda derës e tjetri nga afër m’i përcillte shpjegimet e mia para vizitorëve. Pas orës 17 mora informata bukur të plota për zhvillimet në Prishtinë, kurse rreth orës 18 detektivët urdhëruan: “Duhet ta mbyllni ekspozitën, sepse gjendja në Prishtinë është acaruar...!”[86] Në Banesë i gjeta Tahirin dhe vëllain tim, Habibin. Më informuan për ecurinë e demonstra­tave dhe për vrasjen e ish’nxënësit tim Murat Mehmeti[87].  

 Më 28 nëntor e hap me kohë “Ekspozitën”, por punova në kushte të një, “shtetrrethimi policor”. Në katin mbi sallë mbahej  një mbledhje e “faktorit politik” të Mitrovicës, në derë të sallës, jashtë qëndronte një milicë i armatosur dhe i pajisur me ”Toki-voki”, brenda një detektiv shqiptar me sytë sa të buallit. Nuk pati shumë vizitorë, ndaj kohë pas kohe i urtoja nervat duke shkruar “Notesë në vargje”[88].

Në mbrëmjen e “Ditës së Flamurit”, së bashku me Tahirin, Osmanin e Habibin shëtitëm në “Korzo”, shkuam në “Bozhur” dhe ngritëm dolli - “për shëndetin e studentëve të burgosur!” Këtu e tutje kam mbajtur shënime për të gjitha burgosjet dhe proceset gjyqësore në Kosovë dhe Iliridë[89]. Veprimtarët e “Çetës Bajo&Çerqiz Topulli”, në vijimësi kontribuuan që të burgosurit të mos keqtrajtoheshin në hetuesi, të ndikonin tek prokurorët e gjykatësit,  si dhe për angazhi­min e avokatëve “mbrojtës”, por nuk munguan edhe në dhënien dhe mbledhjen e kontributeve “simbolike” për të pajtuar angazhimin e avokatëve. Ajo që është  bukur e rëndësishme është fakti se Ismail Dumoshi në asnjë minutë, në kohë të lirë, nuk u la i vetëm nga shokët e Çetës Bajo&Çerqiz Topulli, por nuk ia kthyen shpinën as shokët e “sportit” e as shokët e ”Gotës [90].

Ne të “Çetës Bajo& Çerqiz Topulli”, nisur nga Ismaili, asnjëri nuk u trazuam nga pushteti dhe kishim informata se nëntë “organizatorët e demonstratës së 27 Nëntorit 1968 janë duke u marrë në pyetje me kafe përpara...!”[91] Muajt e parë të pranverës së virit 1969 u shënuan me procese gjyqësore për Demonstratat e Nëntorit 1968, që u vazhdua edhe gjatë dhjetorit në Iliridë[92]. Nga fillimi i dekadës së tretë të marsit 1969, nisi të flitej se “do të nisë gjykimi i Organizrorëve të Demonstratave!”, ndaj me qëllim që të bëhej një si presion në favor të shfajësimit të tyre, nisi të përhapej një propagandë  se: “Më 27 Mars, ditë e Enjte në Prishtinë studentët, nxënësit dhe populli do të  shënojë “Gjashtë mujorin” e vrasjes së nxënësit Murat Mehmeti me një demonstratë me kërkesa për lirimin e studentëve të burgosur!”[93]

Testimi solli një rezultat. Pushteti tashti nuk ishte ai i para gjashtë muajve, vuri në lëvizje një makineri aktivistësh të Sigurimit shtetëror dhe politik. Më 26 Mars 1969 në fakultete, në shkolla të mesme e fillore dhe në organizatat punues u mbajtën takime me kërcënime të hapura se: ”Po dolët në rrugë, ka me  ecë gjaku gjer në Gju... kemi me u shkelë...!” [94] Në shokët e “Çetës Bajo& Çerqizi” e përcillnim ecurinë e përgati­tje­ve të procesit të gjykimit nga burime brenda Gjyqit të Qarkut dhe veçanërisht opinionet politike të studentëve dhe të qytetarëve[95]. Vërtet, më 2 Prill 1969 filloi gjykimi i “organizuesve të Demonstratës së 27 Nëntorit  1968, i cili zgjati disa ditë, pikërisht edhe me 3 e 4, për të përfunduat me 7 prill 1969, vazhdimisht nën masa të rrepta të  sigurisë[96]. Në mbrëmjen e ditës së shpalljes së “Verdiktit”  gjykimit, e hënë 7 Prill 1969,  i shkova Ismailit në shtëpi dhe nga ai mësova  për shkallën e dënimit për secilin. Ismaili mbahej, por veçanërisht Nanlokja Sadija, shfaqte ndjenja  krenarie e cila midis të tjerash saktësoi: “Mos u mërzitni se Djemtë e Nanës u treguan kreshnik për detyrën që morën mbi veti, madje edhe avokatët e patën zor me ta,...!?!” Nesërmen, e martë, 8 Prill 1969 gazeta “Rilindja” dha një pasqyrim për shkallën e dënimit të cilën opinioni  shqiptar e priti me indinjatë[97].

   Efektet e Demonstrata e 27 Nëntorit 1968 hëpërhë nuk u panë, bile  edhe Flamuri Kombëtar Shqiptar do të ndalohet në  “Zgjedhjet federative të Marsit 1969 në ditët kur po pritej Gjykimi i 2- 7 Prillit 1969[98]. Vetëm 11 ditë pas shpalljes së dënimit të “Grupit të Osman Dumoshit” në Prishtinë u vu guri themeltar i Shtëpisë së Kulturës “Boro e Ramizi”, e cila ndonëse po realizohej me kontribute vullnetare të qytetarëve, kryesisht shqiptar, nuk u shpalos Flamuri Kombëtar Shqiptar. Kjo antishqiptari komuniste jugosllave e indinjoi rininë patriotike shqiptare e veçanërisht e përjetuam rëndë ne, veprimtarët e “Çetës së Bajo&Çerqizit” me flamurtarin Ismail Dumoshi në rolin e një rrufepritësit[99].

Të nesërmen e shkrova një pamflet politik dhe ia dërgova shtypit serb, malazias, maqedonas, boshnjak, kroat e slloven[100]. Në këtë shkrim i aktualizova kërkesat që i shtroi Aktivi Politik i Prishtinës, më 6 Shtator dhe mesazhet e kërkesave shqiptare që i jetësoi Demon­strata e 27 Nëntorit 1968. Përmbajtja e pamfletit frymon në shqetësimet e jetësuara në ditarin tim të 19 marsit, si edhe në ditarin në vijim[101].

 Të nesërmen, pas “korzosë”, në “Kajami”, “Pamfletin” ia bëra të njohur Ismail Dumoshit në prani të Tahir Abdylit[102]. E pëlqeu posaçërisht përdorimin e “Kfiskave”: “Tito”, “PKJ” “LKJ”, “Luftë Nacional-Çlirimtare”, “Vetë­ven­do­sje”, “vëllazërim- Bashkim i popujve në Jugosllavi”  “Socializëm!”[103]. 

   Nga fillimi i vitit shkollor 1968/69 në“Çetën  e Bajo e Çerqiz Topulli” nisën të gravitojnë edhe intelektualë të tjerë, mësimdhënës të shkollave të mesme, (si Hakif Bajrami etj), asistentë të Universitetit, (si Mujë Rugova etj.), gazetarë (si Sylë Osmani etj.), mjekë (si Jusuf Telaku etj), por në vijimësi vlerë e pakontestueshme, këpujë jona kryesore me disidetizmin­ patriotik në strukturat politike e qeveritare vazhdonte të ishte Ismail Dumoshi[104].

Në korrik të vitit 1970 sapo erdha nga shërbimi ushtarak, u takuam me Ismailin. Ai më foli shtruar për rrjedhat e frymës politike në radhët shqiptare pas ngritjes së Universitetit të Prishtinës. Biseduam dhe “Fjalimin  historik”  Enver Hoxhës, në mbrojtje të Jugosllavisë nga kërcënimi i Rusisë, i transmetuar për kombin e ndarë përmes “Radio-Kukësit[105]. Këso kohe ishte ak­tu­a­lizuar kërkesa për barabarësi kushtetuese-juridike, politike,ekonomike e kombëtare të shqip­ta­rëve në Jugos­llavi dhe kërkesa për ngritjen e statusit të Kosovës në njësi federale të Jugosllavisë me emrin “Kosova- Kosovo”, me Gjykatë të Lartë të vetën. Në këtë frymë, me 10 shtator 1970 ia drejtova një “pamflet” Kryetarit të LKJ-së, e njëkohësisht kryetar i Jugosllavisë - Titos[106]. Të nesërmen në “Afërdita”, kopjen e “Pamfletit” ia bëra të njohur vetëm Ismailit, sy më sy, për faktin se tashti ishte më i kujdesshëm se sa në vitet e ’60-ta.[107]   

Nga fillimi viti 1971 së bashku me Ismailin i kemi ndjekur shumë ligjërata të profesorëve nga Universiteti i Tiranës, të cilat i mbanin në Universitetin e Prishtinës. Të përmendi këtu ligjëratën e Prof. Dr. Eqrem Çabejit: “Dialektet në shqipet: Gegëri­sh­te,Toskërisht”, të mbajtur më 22 Maj 1971[108]. Së bashku pranë njëri tjetrit ishim edhe në Ligjëratën e Profesor Aleks Budës, kur foli për të arriturat në historiografinë shqipta­re. Duke folur për historiografinë e shkrimit kombëtar të gjuhës shqipe, Profesor Buda u ndalë veçantë në studimin tim: “Kongresi i Dytë i Manastirit”, botuar në revistën “Fjala” nr. 9. 1968, Ismailit iu bë “zemra mal”, nuk u përmbajt dhe kërkoi t’i afrohesha që të më përqafonte![109]

Realisht, gjatë viteve të ’70-ta, Ismail Dumoshi ishte njëri ndër kuadrot arsimore e drejtuese të shollave të mesme i cili i përcillte të thuash të gjitha ligjëratat e profesorëve nga Tirana, qofshin ata të ishin gjuhëtarë apo historianë. Ai gjente mënyrë të përsh­tat­shme për t’i nderuar me “dolli”,vazhdimisht në prani të shokëve nga “Çeta e Bajos&Çerqizit”[110], e cila tashti mund të quhej “Çeta Dumoshi[111]. Realisht nga mesi i shkurtit 1974, faktikisht mu kufizua e drejta për botim[112] dhe  detyrimisht, më duhej të isha më i kujdesshëm meqë më rrezikohej edhe vendi i punës “Asistent” në “Institutin e Historisë së Kosovës” [113].  Edhe më herët kam konstatuar se Ismali Dumoshi ishte njëri ndër lexuesit  me admirim të shkrimeve të mia. E përcolli me kujdes të shtuar edhe fejtoninLëvizja përparimtare komuniste e rinisë në Kosovë midis Dy Luftërave botërore” dha kishte mësuar shumë para meje për reagimet  me të cilat do të përballëm. Përzierja e Aslan Fazlisë dhe Ismail Bajrës e kishin frikësuar për pasojat[114]. Ora kujdestare jona, Ismail Dumoshi, e përjetoi rëndë nxjerrjen e dhunshme nga përdorimi në shkollë i tekstit: “Historia për klasën VII të shkollës fillore”, Prishtinë, 1975[115].

Ismail Dumoshin e ka stolisur një kujdes i veçantë, qartë një virtyt që nuk e kishte asnjëri shokë në “Çetën e tij”. Ai i gjendej mikut në kohë të rënda. Të përmendi në vijim vetëm dy raste që i kam përjetuar në lëkurën time: Me datën 14 Mars 1980, po përgatitesha për të shkuar për hulumtime shkencore njëmujore në Tiranë[116], Ismail Dumoshi më erdhi në shtëpi pa më telefonuar. Pasi çuam dolli, më tha: ”Çerqiz ma jep dorën e majtë!” Ia zgjata dhe ai pa një pa dy, ma hoqi orën e dorës dhe aty e vendosi një orë të re, shumë të mirë.”Kjo orë është e jotja deri sa ta takosh Profesor Çabejn, e t’ia lëshosh në xhep, në një mënyrën më diskrete të mundshme, po kështu në Këtë zarf i ki do marka, të cilat janë tuajat derisa t’ia lëshosh në xhep Profesor Çabejt![117]. Të nesërmen do të shprehim kërkesën për ta takuar Profesor Çabejn[118].  

Këtu e kërkon vendi të saktësojmë edhe një fakt tjetër për sakrificën bamirësisë patriotike të Ismail Dumoshit që lidhet edhe me fatin tim dhe të shumë veprimtarëve të “Pranverës Shqiptare ‘81”[119]. Unë e kam ditur se do të burgosëm dy ditë para se të më arrestonin[120]. Po atë ditë që mësova se do të arrestohem i shkova në zyrë Profesor Zekeria Canës dhe e informova: “Prof. Sapo mora vesh se do të më burgosin. Shkova në shtëpi të  gjendem aty pari. Ta dini personalisht  se jam organizues i Demons­tratave të Prillit, por ka për çka mund të më akuzojnë dhe të me dënojnë[121], aq më parë pasi Arif Demollin për disa orë e kam pasur pranë vetës, dhe jam i informuar se asgjë nuk ka shmangur nga ajo që ka ditur për mua...!”[122]  Pas lirimit tim nga  Burgu i Qarkut të Sarajevës[123], kaloi rreth dhjetë ditë deri kur “rastisi” për t’u takuar me Ismail Dumoshin, i cili kishte ndarë mendjen për të më vizituar në familje[124]. Nuk më mungoi “Skënderbegu”, sepse Ismaili ishte kujdesur edhe këtë “ilaç sentimental!” Këtu ia kam borxh sinqeritetit  dhe patriotizmit ekzemplar të  Ismail Dumoshit ta sjellë tekstualisht tekstin përmbyllës të “Ankesës sime” për shkallën e dytë, e cila në fakt, si edhe e tërë mbrojtja ime ishte akuzë publike kundër padrejtësive publike të shtetit Jugosllavi ndaj shqiptarëve, e të cilën Ismaili e rilexoi me një admirim të fisshëm: “... Ndërkaq, në pyetjen e kryetarit të Kolegjit: “A pendohesh për veprën që fajësohesh?” i kam thënë: ”Nuk di pse të pendohem nga se nuk kam krye kurrë farë vepre penale- propagandë armiqësore kundër  shoqërisë dhe shtetit tonë, kundër popullit. Në këtë që më ngarkon Aktakuza nuk ka vepër penale, vetëm duhet  gjykuar drejt. Shkrimet e mia duhet të gjykohen në kontekstin historik e kohor kur janë shkruar. Problemet  që ngërthehen në ato, janë tejkaluar dhjetë vjet e më parë dhe janë kurorëzuar me Kushtetutën e vitit 1974. Pendohem vetëm për ndonjë llapsus  dhe pikërisht për fjalët: “pander”, i ka edukuar Rankoviqi”, “koloni”- se këto shprehje  i kam thënë në vetën time, i mllefosur kundër keqpërdorimeve të rankoviçistëvet, liberalistëvet, etatistëve dhe kundër kundër­shta­rëve t të gjitha ngjyrave të sistemit tonë dhe të Shokut Tito, kundër atyre që i kam konsideruar armiq të fitoreve  të LNÇ dhe të LKJ. [125] Gjithmonë, në të gjitha kohët, kudo që të gjendem, kam për të qëndruar fuqimisht në frontin, në vijën e parë të LKJ për t’i ruajtur fitoret e Revolucionit dhe të LNÇ, për liri nacionale e sociale jo vetëm të  bashkëkombësve, por të të gjithë popujve të Jugosllavisë, për një Jugosllavi që iu vuan themelet në Konferencën V të PKJ  të vendit në Zagreb (1940) me LNÇ-AVNOJ dhe Mbledhje të KNÇ të Kosovës në Malësi”[126].

E sot, ia shtoj: Sido që të merr fund  ky proces gjyqësor, askush, asnjë fuqi  nuk ka qe do të më largojë nga Rruga e ndershme që na e la Shoku Tito - trashëgim!, E Enjte 25 mars  1982, Burgu i Qarkut, dhoma nr. 9,  Muhamet Pirraku”[127].

Nuk kaloi një javë dhe Ismail Dumoshi për mes Tahir Abdylit ma kishte caktuar ditën dhe orën që t’i shkoja në shtëpi. Ishte mbrëmje, më priti me një ngrohtësi vëllazërore që nuk harrohet. Mbi të gjitha edhe sot më bëhet se po e dëgjoj zërin e Nënë Sadisë, e cila si Ora e shtëpisë ma hapi derën: “Mirë se vjen o Evlad, o trimi i Nanës, lumja unë që të prita...!”[128] Biseduam shtruar për torturat në hetuesi, fola për sjelljen e  Dr. Muhamet Tërnavës në “qelinë” time më 15 Nëntor 1981[129], i fola për sa kisha mësuar nga gardianët dhe të burgosurit për Halil Alidemën, për qëndresën titanike të tij në hetuesinë mizore[130].

Me këtë rast mësova qartë se Ismail Dumoshi nuk ishte pasivizuar, se tashti kishte shkelur me të dyja këmbët në veprimtarinë politike Klandestine të “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi ”(LRSHJ). Ismaili ma besoi “Komuni­katën Nr.1 1982  e cila fliste për bashkimin e “LNÇKVSHJ­’së më PKMLSHJ’në më 17 Shkurt 1982 dhe bashkimi i “OMLK” më LRSHJ-në  përfundimisht më 15 Maj 1982. Ky dokument përfundonte me “Komiteti Qendror i Lëvizjes për Republikën shqiptare në RFSJ”[131].

Se Ismail Dumoshi nuk “po flinte”, se në stilin e tij unik po punonte natë e ditë për çlirimin e Kosovës, dhe i ishte ngritur në një “Institucion” të Logjistikës së “Lëvizjes për Republikën shqiptare në RFSJ”[132], në një kohë kur unë mbaja fuqimisht çekanin e muratorit në duar, për ta përballuar jetën e dhunshme ku, nga shokët e  “Çetës Bajo & Çerçizi” guxuan të më vizitoni në familje vetëm Tahiri, Ismaili dhe Osmani[133]. Isha duke i duke e vu  një hark të dritareve të “Kullës” së Ramadan Zekës në “Sefali” të Prishtinës[134], krejt papritur më trandi  një zë i ngulfatur nga një ngashërim burri: ”Punambarë o Mjeshtër!” ia mora përshëndetjen, por pasi nuk ia njoha zërin vazhdova me vendosjen e tullës në hark. Kur Ismaili kishte arritur ta ”zaptonte”  vetën, ma rrëmbeu çekanin nga dora: “Qëndro ore burrë e mos e dorëzo armën kaq lehtë!”[135]. Së bashku, të tretë, quam dolli me nga një gotë “Raki Rahaveci”[136]. Ismaili këtë vizitë ma bëri, faktikisht në shërbim të logjistikës së “LRSHJ-së”[137].

Se Ismail Dumoshi  gjatë viteve të ’80’ta vepronte në  “logjistikën” e “LRSHJ’së”, më vonë lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e cila e lindi UÇK’në, ka shumë dëshmi, por këtu po e përmendi vetëm një fakt: Nga dora e Ismail Dumoshit e sigurova dokumentin: “Komunikatë” të “LRSHJ’së”, e cila fliste për rënien heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës në natën e 10 e 11(?) Janarit 1984[138]. Frymëzuesi i fisshëm, Ismaili, me çdo kusht mundohej të më gjendej afër të mos thyhesha, të mos dorëzohesha me këshilla të vazhdueshme të shkruaja dhe të botoja me pseudonim ose me emër të ndonjë shoku se “robërisë dhe vuajtjes tonë po i vije fundi...!”[139].

  Patrioti i përkorë, Ismail Dumoshi i përjetonte rëndë përpjekjet e Serbisë në krye me Slobodan Milosheviqin, i mbështetur në aparatin e gjithmbarshëm policor, ushtarak e politik jugosllav për heqjen e kompetencave shtetërore të Kosovës që ia siguronte kushtetuta e vitit 1974, që çonte në ripushtimin serb faktit të Kosovës, por vazhdonte të besonte së po i vinte fundi Jugosllavisë Avnojiste dhe robërisë serbe në Kosovë. Ismali Dumoshi kishte besim në “Rininë patriotike në emigracion “E cila sa po vije e po i lidhë rreth programit çlirimtar rininë shqiptare të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni, Kosovë Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe Mal të Zi...!”[140]   

Në fund, për përmbyllje, më duhet të saktësojë se këtë ndriçim të veprimtarisë patriotike të Ismail Dumoshit jam detyruar ta mbajë në duar gjatë kohë, ta mbështes kryekreje në pjesën e ruajtur të trashëgimisë sime të shkruar në kohën kur veproi Ismaili me shokët, jo për t’i “kënduar këngë vetës” as për t’u ndriçuar nga “dielli i Ismailit” për faktin se për faktin se në kohën e rinisë sime e  të burrërisë së tij e patëm një “Diell” të vetëm e të përbashkët, dallimi midis nesh qëndronte në faktin se unë lija gjurmë për të bëmat e Ismailit si për të  Trimit të mirë me shokë shumë...!” Ndaj, me këtë ndriçim e laj një borxh moral ndaj shokëve idealist të “Çetës Bajo e Çerçiz Topulli”, të cilët, kanë lënë gjurmë në përpjekjet shqiptare për identitet kulturor e politik kombëtar[141].  Fjala ime e fundit le të mbetet porosia e mirënjohur e Henry David Thonreau’t:“Le të mos e nënçmojmë vlerën e faktit, sepse një ditë do të lulëzojë më një të vërtetë”! Dhe, erdhi koha për të thërritur me gjithë zërin:

 

- Nderime për jetën dhe veprën patriotike të Ismail Dumoshit,

e mbi Varr i lulëzofshin krizantemat e shqiptarësisë historike të Kosovës,

për të cilën punoi tërë jetën djaloshare e burrërore!

 

© Pashtriku.org, 13. 04. 2011

 

 

D O K U M E N T E   A R K I V O R E

 

Dëshmia e Arif Demollit dhënë organeve të sigurimit (Sabah Muhagjerit),

më 21. IX. 1981, në çështjen penale kundër Muhamet Pirrakut, Mr.i historisë.

 

Deklarata e të pandehurit Muhamet Pirraku, dhënë më 08. VIII. 1981,

pranë organeve të Sigurimit (Sabah Muhagjeri - person i autorizuar

zyrtar dhe Shefqet Lahu - procesmbajtës), në Prishtinë.

 

Vërtetimi i lëshuar nga Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme, lidhur me konfiskimin

e materialit të gjetur gjatë bastisjes - në shtëpinë e Muhamet Pirrakut, më 04. VIII. 1981.

 

 



[1] Nga telefonata e Prof. Dr. Izber Hotit, më 31 gusht 2010, mësova se Ai kishte marrë mbi vete barrën për të shkruar jetëshkrimin e Ismail Dumoshit. U gëzova pa masë, por dy kërkesat që pasuan në vijim më sollën në “hall”: “Familja e Ismailit mendon se Ti ki dokumente që flasin për veprimtarinë politike të Ismailit...!; dhe, “Unë kërkoj nga Ti të shkruash një pasqyrim për Aktivitetin e Ismail Dumoshit në rrafshin e zhvillimeve historike të periudhës së kontakteve Tuaja me të...!” 

[2] E pranova “Kërkesën” që ta nxirri në letër kujtesën time dhe vlerësimin tim për rolin e Ismail Dumoshit në ngjarjet Kthesa historike politike, arsimore e kulturore në periudhën e njohjes dhe të marrëdhënieve të mia me Ismailin, duke i qëndruar besnik urtisë hebreje: “Çka nuk e ke parë me sytë e tu, mos e shpik me gojë”! Meqë nga ndarja fizike me Ismailin kanë kaluar mbi 22 vjet, për saktësinë e fakteve mu dashtë t’u kthehem shënimeve notes dhe ditarëve të ruajtur në Arkivin tim profesional, por edhe në Dosjen K.br.405/81, Kio br. 255/81 në Arkivin Historik të Prishtinës, ku janë vetëm rreth 2% e materialeve të konfiskuara me rastrin e burgosjes sime, më 4 gusht 1981.

[3]  Shih, gjerësisht, në “Biografitë” për autorin në veprat: Dr, Muhamet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000,  Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006; për Kauzën e shtetësisë së Kosovës Prishtinë2008.

[4] Renditja e emrave të veprimtarëve të më sipërm, përpos vlerës absolute të Ismail Dumoshit, nuk simbolizon ndonjë rang të dimensioneve dalluese në aktivitetin përbashkues, ndonëse nuk mund të vihet shenja e barazimit midis rolit të njërit me të tjetrit, për faktin se akëcili vepronte sipas afiniteteve e mundësive që i ofroheshin nga vendi i punës dhe besimi “institucional” që kishin në vendet ku punonin, mësues, arsimtarë, nëpunës, gazetarë, shkencëtarë. Përjashtim bënte vetëm Ismail Dumoshi, i cili ishte më i moçmi, së paku se shumica, por edhe për faktin se  Ai qartë ishte “Një njeri i  regjur në uthull”.

[5] Në kohën e kontakteve të mia me Ismailin, Familja Dumoshi, ishte ndër pak familjet intelektuale me prejardhje katundare, pa ndonjë shkëlqim nga  pasuria. Mund të thuhet se “vetëm bukën e kishte më bollëk”, e të cilën e ndante me nxënës dhe studentë “katundarë” që vinin gjithandej të tokave shqiptare nën pushtimin jugosllav.

[6] Mësuesja Shqipe Dumoshi në hulli të aktivitetit patriotik të bashkëshortit, do të bëhet shtyllë për masivizimin e gruas në “Forumin e Gruas të Lëvizjes Demokratike Shqiptare” për   Degën e Dytë të LDK-së, së paku në kohën sa ky mekanizëm politik gjithëpopullor drejtohej prej meje (deri më 21 tetor 1991). Kjo degë e LDK-së, e vetmja nga të gjitha degët e LDK-së, falë drejtuesit, kishte lidhje me përfaqësuesin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Atdhe, Zotëri Jonuz Sopianin, dhe e barti barrën kryesore të organizimit dhe të administrimit të Referendumit të 26 shtatorit 1991, në Prishtinë, me reflektim të plotë organizativ në gjithë shtrirjen e LDK-së.

 

[7] Ky digresion i domosdoshëm për të pasqyruar komplek­sitetin e fenomenit “Dumoshi” ( trinomi: Ismail, Nënloke Sadi e Shqipe, që prodhoi Osmanin promete), më largoi pak ca nga “Tema”, por jo edhe nga historia!?!

[8] Nga viti i ardhshëm shkollor, e mbaja “Lëndën e Historisë” edhe në Shkollën e Mesme Teknike”, kurse në Medresenë “Alauddin” “lëndën e historisë” dhe të “Retorikës”.  Ndërkaq, nga tetori i vitit 1967 do të punësohem “Arkivist për hulumtimin dhe publikimin e lëndës arkivore” pranë Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht, gjithnjë pas dreke, për një kohë e mbajta edhe mësimin e historisë në disa paralele të Shkollës Normale ”Miladin Popoviq” të Prishtinës.

[9] E kush mund t’u rrinte besnik këtyre këshillave shekspiriane, sa vetë Ismaili, atë që ma besonte mua nuk ia besonte tjetrit, respektivisht, atë që ia besonte tjetrit nuk ma besonte mua. Kështu edhe midis shokëve të “Çetës”. Për çështje të mprehta politike, për të cilat mund të përgjigjeshe “politikisht” ose para “gjyqit”, fliste me qetësi kryesisht në katër sy”, me shpesh duke i cakërruar gotat, pa ta tërhequr vërejtjen për “kujdes”. Ta thoshte atë që e mendonte vetëm si një orientim politik me porosinë e tërthorët të “detyrës vullnetare”!

[10] Si largpamës që ishte, nuk nguronte të më këshillonte: “Këtë që po e bënë është punë e mirë ama kujdes dije se ku po jeton e mos e harro ‘kfiskën’, për çdo eventualitet...!”. Për strategun e pashembullt, Ismail Dumoshin, “kfisko” ishin emrat: “Tito”, e ”Fadil” dhe shkurtesat: “PKJ”,“LNÇ”, “LKJ”(!), që duhej t’i përdorja në mbyllje të akëcilit shënim me frymë antiserbe e antijugosllave, si: “Kështu nuk thotë Tito” (Fadili), “Kështu nuk thoshte PKJ”(“LNÇ”, as thotë “LKJ”)!?! Në hetuesi inspektorët e SSHJ federativ e republikan, me dhjeta herë në Prishtinë, Mitrovicë e Sarajevë (4 Gusht 1981-4 Gusht 1982) më kanë shantazhuar e sharë: “Najviše od shih si se pozvao na Tita i  najviše si ga mlatio...” (Më së shumti je thirr në Titon dhe më së shumti i ke dhen dajak...)!?!

[11] Në një rast sikur më diktoi: “Kjo që po bënë është punë e rëndësishme por me rrezik...! Për preventivë, duhet ta shënosh akëcilën njësi mësimore sipas Planpro­gramit, tu shpjegosh nxënësve esencialisht për secilin “mësim” (sipas planprog­ramit), kurse pje­sën tjetër të orës ta plotësosh me mësimin nga historia kombëtare si plotësim, por pa lënë gjurmë në ditar!”. Falë kësaj “metode dumoshiane”, të cilës i qëndroja besnikërisht, edhe pse flitej botërisht se po ligjëroja gjerësisht nga historinë kombëtare shqiptare, meqë nuk lija gjurmë të shkruara për “korpus delikt” në “ditarët mësimor”, drejtorët më toleronin, madje me simpati, ndaj nuk përjetova asnjë pasojë. Përkundrazi, përvoja ime me “metodën dumo­shiane”, sa vinte dhe do të jetësohet, ku më pak e ku më shumë, edhe nga shumë mësimdhënës në shumë shkolla të Prishtinës, e më konseguecë të plotë posaçërisht nga historianët që  gravitonin në “Çetën Bajo e Çerçizi”.

[12] Vendi i punës:“Arkivist për hulumti­min dhe publikimin e lëndës arkivore” me dha mundësi të hulumtoja burimet për historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, gjithandej në arkivat shtetërore dhe bibliotekat kombëtare në Jugosllavi. Kjo më krijoi mundësi t’i shfaqi  synimet e mia për dijen historiografike me të dhëna krejt të reja për ngjarjet dhe personalitetet e Rilindjes sonë kombëtare, fillimisht të botuara në “Rilindja”, “Fjala”, “Zëri i Rinisë” dhe “Shkëndija”. 

[13] Për hir të realitetit historik duhet të saktëso­jmë faktin se qysh me të ashtuquajturat “Udhëzimet direktive” të Eduard Kardelit (aso kohe kryetar i Kuvendit Federativ), dhënë, sy më sy, udhëheqjes partiake e shtetërore, të Kosovës, më 21 mars 1967, parashihej njëfarë hapje për bashkëpunim kulturore të Kosovës me Shqipërinë, që i hapi rrugë edhe kërkesës poli­ti­ke institucionale për afirmimin e plotë kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi. Ismail Dumoshi, ishte i pari nga shokët e “Çetës” që mësoi “nga shokët e gotës” për këtë kthesë në politikën të kreut politik e shtetëror jugosllav dhe nuk hezitoi ta lidhte mendimin politik të nëntokës ilegale me  mendimin institucional që mbështetej në këtë platformë.

[14] E di saktësisht se historiani Mr. Ali Hadri, ligjërues në Fakultetin Filozofik ishte i autorizuar nga pushteti të kontaktonte me “Fakultetin e Gjuhësisë- Historisë” së Tiranës për këto planifikime.

[15] Me këtë rast u planifikua mbajtja në Prishtinë e “Simpoziumt Ndërkombëtar për Epokën e Skënderbeun”, të 9-12 maj 1968.

[16] Meqë këtë aktivitet nuk mund ta lidhnim me programet mësimore shkollore vendosem ta realizonim si aktivitet vullnetmirë të studentëve të Letërsisë, por me kusht që “aktorëve“ që do të angazhohen tu tërhiqej vërejta për rreziqet që mund t’i prisnin.

[17]Gjakushi, ishte  bir emigranti “antienverist, por  i rritur kryesisht në Kosovë, ishte një patriot që na lidhte emocionalisht me Shqipërinë. KyKyKK e mori mbi vete rrezikun për ta përgatitur “aktorin recitues”, Hasan Salajn i cili së bashku me kolegët e studimeve Gani Bobi e Demë Feta, kishte kohë që ishin lidhur në “Çetën” tonë, me besim të plotë. Ismaili për zgjedhjen e vargjeve ishte konsultuar edhe me “Bajon”(Murat Blakun).

[18] Ismail Dumoshi sa më kujtohet sot, i kishte tre vende ku e kalonte kohën për rekreacion  dhe veprim politik. Në  “Kajami” kryesisht takohej me veprimtarët e lidhur në “Çeta e Bajo e Çerqiz Topulli”. Kjo kafene ishte pas Teatrit Krahinor, në anën e djathtë të lumthit “Vellusha”. Me këta takohej, kryesisht vetëm për  të pushuar, edhe në “Afërdita”, përball “Këshillit Krahinor”. Me “tajfen  e  gazetarëve  të sportit të rrethit të Veli Vraniqit takohej në kafenë “Parnas”, në rrugën  e TVP-së, me shokët e “Gotës” nga radhët e “singurmcave” e të “komunistëve  të lagjes së Cen Zherkës- Mahmut Bakallit,  kontaktonte në “Bozhur”. Prej neve të “Çetës”, ka ndodhur të ishim në shoqëri të “Sportistëve” përkrah Ismailit, por vetëm rastësisht, për pak kohë, në shoqërim të Ismailit në “Tavolinë” me shokët e tij të “Gotës”.

[19] Ky aktivitet u nis mbarë, u realizua mirë dhe u arrit ajo që e dëshiroi patrioti i heshtur, Ismail Dumoshi, kurajë për veprime “kulturore” të radhës.

[20] Ismaili propozoi të zgjidhnim njërën prej tri drama: ”Nora”, “Shtatë shaljanët” dhe “Trimi i mirë me shokë shumë”.

[21] Pas disa ditëve nga aprovimi i këtij projekti, kam udhëtuar për Beograd, për një hulumtim disamujor (në bazë të notesëve, rreth 20 ditë kam banuar  në rrugën “Nemaniija ”kurse nga 15 prilli deri më 30 qershor 1968 kam banuar në lagjen “Shumica”, rruga “Sutjeska -12”,(Nr.13), ndaj nuk di me saktësi për ecurinë e përgatitjes së dramës, përpos asaj që më informonin shokët e “Çetës” në vikende (e shtunë pas dite deri  të dielën pas dite)  të cilat kryesisht i kaloja në Kosovë.

[22] Nga Beogradi isha kthyer (për Simpozi­um) me trenin e mbrëmjes, më 8 maj, për faktin se drejtori im (i Arkivit Shtetëror të Kosovës, Ismet Dërmaku), ma kishte ngarkuar për detyrë që ta prisja, në “Pallat Albania”, studiuesen Dr. Irena Senkijeviq (e doktoruar në Tiranë para Profe­sor Aleks Budës në vitet e “miqësisë ruso-shqiptare”. Ajo vinte nga Moska me kumtesë shken­core në Simpoziumi përSkënder­be­un”.

[23] I famshëm për virtytet kombëtare, i shkolluar në Shqipëri dhe Itali,  në “Kohë të Zogut”.  Dr.Deda, ishte bashkëkohës me Profesor Budën, së këndejmi miq nga shkollimi i mesëm në  periudhën e “Mbretnis Shqiptare”.

[24] Tahiri, Demë Feta, Gani Bobi, Osman Leci, Halil Alidema dhe bashkëveprimtarët e tjerë të “Çetës së Dumoshit”, e që vazhdonte të njihej si “ Çeta e Bajos dhe e Çerçiz Topullit”, më vërtetonin se që nga ajo “ndeje” Ismaili posedonte një “thesar distin­ktive të Skënderbeut”, të cilët do t’ua jepte bashkëveprimtarëve që ti shpërndanin midis studentëve dhe nxënësve të shkollave të Mesme, kështu që djalëria e “korzosë” së Prishtinës, nga ajo natë, me ato stoli në mansheta të jakës së setrave, do të identifikohet si “Rini kastriotike- enveriste!”

[25] Të përmendi këtu vetëm një nëpunës “banke” të asaj kohe, Muharrem Musliun nga Mareci, i cili më vonë do të ofrohet me besim të plotë në aktivitete më disa nga veprimtarë të “Çetës B&Ç”.

[26] Shih, Dr. Muhamet Pirraku Konteksti politik i Kërkesave Demonstratave të vitit 1968 në librin: Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 251-256.

[27] Kjo do shihet  edhe nga letërkëmbimi  i saj me mua, që do të pasojë deri nga fundin e saj tragjik, në “aksident automobilistik”!?! Prof. Dr. Irena Senkijeviq asnjëherë nuk do të harrojë që ta përshën­deste “Hokatarin e fisshëm!”, siç do ta quaj, ajo, Ismail Dumo­shin.

[28]  Në bazë të noteseve të mi, njëri film fliste për jetën dhe luftën e Skëndërbeut kurse tjetri për manifestimet në Shqipëri gjatë shënimit të “500-Vjetorit të Skënderbeut”.

[29] Saktësisht nuk e di kohën as  rrugën si u erdhi në dorë këtyre ky film dhe si u zgjodhën mu këta ta “shikonin paraprakisht filmin se mos ka diçka komprometuese për “Delegacionin Kosovar” (konstatim i “Bajos”), të cilit i kishte folur Enver Hoxha në Krujë, më 15 janar 1968, dhe midis të tjerave kishte konstatuar: “Ne ju për­shën­desim ju, si përfaqësuesit e inteli­gjencies ko­so­vare dhe si bij të asaj pjese heroike të popullit shqiptar të Kosovës që ne e duam shumë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, jemi pra një popull. Qiejt mund të rrëzo­hen, por e vërteta që ju jeni vëlle­zërit tanë e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe, nuk lëviz”. Shih më gjerësisht: Dr. Muhamet Pirraku Konteksti politik i Kërkesave të Demonstratave të vitit 1968 në librin: Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 251-256.

[30] Meqë Murati (Bajo) nuk mbante notes as ditar dhe as sot nuk i kujtohet prej nga filmi dhe kush i caktoi ta shikonin përpos asaj se “Ishin të ulur në rreshtin e fundit: Ismaili, Vehapi, Hasani dhe ai dhe se filmi nuk i kompromistonte delegatë kosovarë që u foli Enver Hoxha në Krujë. Informatë, Gërmi (Prishtinë, më27 dhe 28 Shkurt 2011. Po kështu, asgjë nuk i kujtohet as Vehap Shitës, Telefonatë, 28 Shkurt 2011.

[31] Po përgjigjem shumë shkurt: Asnjë­­herë dhe në asnjë kohë për aktivitetet e pa planifikuara së bashku nuk i jepnim llogari njëri tjetrit, e informonim shokun vetëm aq sa ta dije se “kam punuar diçka!” në mënyrë që në rast “të ndonjë të parriture” të mos merrnim përgjegjësi politike grupore e kolektive. Kjo ishte një “bonton” midis shokëve në “Çetë”, për faktin se vepronim në mjedise të ndryshme dhe bashkëvep­rimtarët i lidhnim për vete me besim individual. Por ta ritheksoj edhe një herë faktin se Ismaili ishte ajo “gazela” në udhëkryqe që e bënte lidhjen e disiden­tizmit kombëtar shqiptar brenda qarqeve të pushtetit dhe disidentizmin patriotik të inteligjencies që po rritej qartë “skënderbegase enveriste!”, e bindur se “Dielli lind dhe perëndon në Shqipëri!”

[32] Kopja e këtij dokumenti (të cilin do t’ia bëja të njohur Ismail Dumoshit të nesërmen, është konfiskuar me rastin e arrestimit tim, i evidencuar në dokumentin “Vërtetimtë “Sekretari­atit për Punë të Brendshme- Drejtorati i SHSSH Prishtinë, më 4.08. 1981” “50.” me këtë specifikim:”Dy fleta- gjegjësisht katër  faqe të shkruara me dorë, letër të dërguar shokut Tito në gjuhën serbokroate “Predsednika CKSKJ- Titu”, e dërguar më 1.06. 1968 nga Beogradi.”

[33] Meqë kanë kaluar dekada dhe nuk më kujtohet përmbajtja e dokumentit me përplotni, këtu po e sjellë  shkurtimin  e hartuar nga hetuesi Sabah Muhagjeri më datën 2 Nëntor 1981, si “Vazhdim  i procesverbalit të datës 8.VIII. 1981” (të gjykatësit hetues formal Vahid Halili), i hartuar pa praninë time, por i nënshkruar me dorën time (në rrethana shëndetësore mizore (prej 19 Gushtit 1981, pjesërisht i pamundur për të lëvizur, pasojë e torturave fizike), është konstatuar: “Me datën 1.VI.1968, kur isha në Beograd për hulumtime shkencore i pata shkruar një letër në gjuhën serbokroate Titos, në emër të studentëve  kosovar të Universitetit të Beogradit. Në Letër kërkoja që Tito të ndërmerr për realizimin e kërkesave të parashtruara nga Komiteti Krahinor, lidhur me çështjen e dygjuhësisë, lidhur me çështjen e emblemave nacionale e lidhur me datat historike të popullit shqiptar. Edhe  pse këtë letër e kam nënshkruar në emër të një grupi të studentëve  kosovar të Universitetit të Beogradit, po theksoj se këtë letër e kam shkruar unë vet dhe për këtë nuk ka ditur  as kush tjetër përveç meje, se të gjitha unë i kam bërë në një konspiracion të thellë dhe askush prej shokëve të mi nuk e ka ditur për këtë e as që unë mbaj ditar”. Shih më gjerësisht Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[34] Këta në Prishtinë nga shtypi mjetet e tjera të informimit dinin se “Vala  e Parisit” kishte arritur edhe në Universitetin e Beogradit, ndaj u fola për aq sa kisha parë deri në orët e pasdites së datës 1 Qershor 1968, e shtunë, kur udhëtova për Kosovë. 

[35] Lidhja për informim, Habibi-Tahiri-Ismaili.

[36] Kopjen e “Pamfletit”  ma ndali Ismaili, me qëllim të shërbente si koncept për kërkesat  e demonstratave që do të organizoheshin në Prishtinë. Ky dokument mbeti tek Ismaili deri më 2 Korrik 1968.

[37] Realisht, kishte kaluar mbi një muaj e gjysmë që hulumtoja burime historiografike për historinë kombë­tare shqiptare në arkivat dhe bibliotekat e Beogradit,

[38] shumica e të cilave falë vigjilencës politike strategjike të Ismailit, janë ruajtur deri sot. 

[39] Të kamufluar fuqimisht me nocionet(maksima) “marksiste- leniniste”, të tolerueshme nga filozofia legale pushte­tit jugosllav.

[40] Ky dokument i ka arritur Ismailit më 4 Qershor 1968.

[41]  Ky dokument i ka mbërritur Ismailit më 6 Qershor 1968.

[42] Së paku një shkrim poetik imi i shkruar në gjuhën serbokroate, kushtuar “Radnicima (Punëtorëve) i nënshkrua me “MPD”(Muhamet Pirraku- Drenica) do të lexohet nga studentët aktorë përmes altoparlantëve në “Crveni Univerzitet Karl Marks”, (pa shënimet nën faq.2, të dhëna për përshkruesen, nxënëse, bija oficerit Mal Musliu nga Smolica e Gjakovës (ku banoja), e cila kishte një kaligrafi estetike). Ruhet në Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, të 9 e12 Nëntor 1981, me numrin: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[43] Këto informata mi përcillnin vëllai Habi, dhe Tahir Abdyli, përmes lidhjes sonë të sigurt, për të cilën do të flasë më vonë. 

[44] Kjo bisedë me zyrtarët e Kosovës u zhvillua në jehonën e  përgatitjen Për “Vizitën e Titos me Jovankën në Kosovë”.  Nga shënimet notes e di saktësisht se Tito me shpurën e ti e vizitoi Kosovën dhe më 28 Mars 1967 ishte në “Patrikanën ortodokse  të Pejës”.

[45] Në këtë shkrim kam sjellë fakte të prekshme për këtë të vërtetë.

[46]  Ishte e martë, 4 qershor1968, ora 10.20.  “Takimin” e caktuam për në orën 13.

[47] Shih më gjerësisht Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Kriza institut­cionale në historiografinë shqiptare, “Kosova sot”, Prishtinë, 13, 20 Nëntor 2010, fq. 15,20; WWW. Pashtriku.org.

 

[48]  Sa  mund të kuptohet nga përmbajtja e  Dokumentit të sjellë pa asnjë shkurtim, informata ishte plotësisht politike pa asgjë familjare pos titullimit, “I nderuari vëlla”, kamuflim për siguri për Ismailin dhe aktivitetin që po e planifikonim, por, për fat të keq, me rrjedhime për vëllain tim Zejnullahun, ky plotësisht i pa implikuar në aktivitetet e mia, i cili në kohën e burgosjes sime ishte Kryetar i Gjyqit Komunal për Kundërvajtje në Gllogovc. Realisht, në hetuesi,që nga 4 Gushti 1981 deri në procesverbalin që do ta citoj më poshtë shumë herë jam marrë në pyetje edhe për dokumentin “I nderuari vëlla”, dhe gjithnjë konstatoja se”Letrën ia kam dërguar vëllait Habibit” (i cili më kishte vdekur, në fatkeqësi komuni­kacioni më 12 Tetor 1972, pa përmendur tjetër emër, asnjëherë), mirëpo udbashi Lutfi Ajazi, bashkëvendës imi, i cili i pari i priu njësitit që më arrestoi, kishte ndërhyrë dhe në vend të emrit Habib, e kishte shënuar emrin “Zunullah”, siç e quante ai me të et, polic ky i deformuar i Rankoviqit. Reagova fuqimisht, por nga e tera pati vetëm një efekt” - emri i “Zenës” do të shkruhej drejt, Zejnullah, sepse për ta dënuar një person për “vepër politike armiqësore” duhej, së paku, edhe një i dyshuar i dytë. Në “Vazhdim i procesverbalit të dt. 8. 08 1981(i gjykatësit hetues formal, Vahid Halili), vazhduar e hartuar nga shefi i ekipit hetues ndaj meje, Sabah Muhagjeri, më 14.09.1981, midis të tjerash shkruan: ”Lidhur me këto demonstrata me dt. 5,06.1968 i kam pas shkruar edhe vëllait tim Zejnullahut një letër në të cilën përveç të tjerash i kam shkruar: “...kam ndërmend, shkurtimisht me të njoftue me situatën...? Shtypi. Radio, televizori- s’kanë asgjë të bëjnë me realite­tin...!? Lëvizja studenteske është masovike, dhe  në bazë të shënimeve që jepë Këshilli akcionr, i krijuar prej 12 profesorëve dhe studentet, mbanë nja 10-11000 veta. Ata kanë mjetet për informimi Altoparlante dhe shaptillografe në çdo fakultet...” Fragmentin e plotë shih në ”Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, më 9 e 12 Nëntor 1981, numrin: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[49] Duhet të kihet parasysh fakti se niveli gjuhësor i shkrimit në dokumentet e qershorit të vitit ‘68, është shkrim i një absolventi në histori i cili shkollën e mesme bujqësore si dhe fakultetin e historisë po e mbaronte në gjuhën që e urrente me shpirt. Mësuesi ynë, Ismail Dumoshi me bash­kë­veprimtarët, këto fakte i dinin, nuk u pengonte gjuha im e “laramane”, e çmonin frymën e informatave dhe të shkrimeve të mia “poetike”, e veçantë, angazhimin tim në rrugët që i ëndërronim së bashku.

[50] Këtu duhet të saktësojmë faktin se korrespondencën e mbanim me ndërmjetësimin e një dhëndëri të fqinjëve të mi, konduktorit. Hajriz Jashanica nga Bardhi i Madh. “Letrat Femiljare” (pa asgjë familjare, si në informatën e 5 Qer­sho­rit ’68) të mbylla në zarf i merrte në Fushë Kosovë, Vëllai im, Habibi, i lexonin së bashku me Tahir Abdylin, e ky ia përcillte Ismailit. Gjaku im me familjen Jashanica kishin një lidhje me besim  politik patriotik që nga vitet 1945/46. Kushëriri i konduktorit H. Jashanica, dëshmori i ONDSH-së Azem Bellaçevci- Jashanica i përkiste pikërisht  Zonës I” të “Lëvizje për Lirimin e Tokave Shqiptare” (ONDSH), e cila realisht  e zhvilloi aktivitetin politik dhe luftarak nën kujdesin e kushërinjve tanë, dëshmorët e ONDSH-së: Mulla Arif Shala dhe Sokol Brahimi (Haxholli), si dhe fqinji ynë i parë – Izet Murati (Gjoshi). Shih  gjerësisht,  Dr. Muhabet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja  Kombëtare  e Kosovës Lindore, 1941- 1951, Prishtinë , 1995, 340-353 etj.

[51] Më herët konstatova se për këtë “letër” e pësoi vëllai im Zejnullahu ( i cili së paku dy herë iu kishte bashkuar Demonstratave të Prillit 1981 në Prishtinë). Atë brenda disa ditësh nga burgosja ime e shkarkuan nga detyra e Kryetarit të Gjyqit Komunal për Kundërvajtje  të Drenasit (atëherë Gllogovc), e larguan nga  LKJ-a, e që tërhiqte pas edhe dënime të tjera, (e punësuan si një referent me rrogën më të vogël për 50%). Më 5 Tetor 1983 do të largohet edhe nga “Lidhja e Eprorëve Ushtarak Rezervë” Në vendimin e nënshkruar nga Kryetari i LEUR, të Gllogovcit, Ajet Bogiqi, ku midis të tjerash do të saktësohej se: Zejnullah Man Pirraku (1946)- me gradën e oficerit “Toger”, “përja­shtohet nga LEUR, sepse me sjelljet e veta në jetën private i ka thyer normat morale të eprorit rezervë ushtarak. Të njëjtit iu ka ndërrue vendi i punës dhe ka qenë i larguar nga LKJ, është simpatizues i politikës së Partisë së Punës së RPS të Shqipërisë. Vëllai i tij Muhameti ka qenë i dënuar me 2 vjet burg për shkak të veprimtarisë armiqësore. Për Zenën propozohet që t’i mirret edhe grada ushtarake nga ana e gjyqit të nderit të KSA të Kosovës”. Më gjerësisht shih: në ”Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, më 12 Nëntor 1981, me numrit: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[52] Banoja në lagjen “Šunica” ul. “Sutjeska”- 12, ndërtesë ku  banonin kryesisht familje të oficerëve aktiv e në pension. Në këtë banesë më gjeti edhe Invazioni rus në Çekosllovaki dhe “Fjala e Enver  Hoxhës” në mbrojtje të Jugosllavisë.

[53] Me datën 10 Qershor 1968 e hënë, me trenin e mbrëmjes ia dërgova Ismailit informatën e shkurtër: ”Demonstrata u shua, ka të burgosur e të larguar nga Universiteti,  do të shihemi të dielën e ardhshme!”

[54] Ismaili i mbajti pranë vetës të gjitha informatat që ia kisha dërguar. Ato do të mi kthej pas kthimit nga hulumtimet shkencore disamujore në Beograd me vërejtjen: ”Këto dokumente të mos i mbash në kabinetin e punës, sepse nuk u dihet tekeve të UDB-ës e mund të na duhen një ditë...!” 

[55]  Shih gjerësisht në ”Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, më 12 Nëntor 1981, me numrit: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[56] Në këtë “Mbledhje” mora pjesë  si arkivist i Arkivit Shtetëror të Kosovës (ndonëse nuk isha anëtar i LKJ-së). Ajo filloi nga puna në 17.11’. Isha i ulur  pranë dritares në rreshtin  diku nga fundi i sallës. Pranë meje ishte Tahir Abdyli e më tutje Xeladin Sahiti, Tefik Geci, Fehmi Pushkolli. Prej nesh vetëm unë merrja shënime të shkurtra nga secili diskutues  gjithsej 10 faqe të një “blloku xhepi”. Për fat është ruajtur ky bllok dhe  këto janë shënimet më autentike nga kjo ngjarje vërtet historike.  Mbledhjen e hapi, serbisht, Mustafa Plakiq, kurse hyrjen e  bëri Buda Vujisiq, nënkryetar i Lidhjes Socialiste të Komunës së Prishtinës, nga funksionarë e lartë  partiak: Iljaz Kurteshi e Cica Patërnogiq. Shumica e diskutuesve folën në gjuhën serbokroate, që ta kuptoni më mirë serbët. “Salla është  përplot, si duket “vetëm 1/5 janë serbë”. Gjerësisht, “Nga Mble­dhja e Aktivit Politik  e sekretariatit komunal të Komunës së Prishti­nës”, 6-IX-68, blloku No- 27,   Arkivi profesional i autorit. 

[57] Gjerësisht, po aty. Në atmosferën që shkaktoi  Cica Patërnogiq me konstatimin e saj se “Albanci imaku dve majke jednu ovde a drugu preko Prokletrija, u Albaniji!” dora-dorës e shkrova poezinë: “Unë ka një shpirt për cilën Nanë ta fali!?!”

[58]  Me një besnikëri është shënuar çdo kërkesë për avancimin dhe barazimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për ngritjen e statusit të Kosovës në republikë mbi bazë të së drejtës marksiste-leniniste për vetëvendosje të popujve, si dhe kundërshtimet e serbëve. Meqë mbledhja mori flakë, Mustafa Plakiq e ndërpreu  mbledhjen pikërisht në orën 1.20 të datës 7 Shtator 1968, e shtunë. Për diskutim ishin të paraqitur edhe 12 veta. Mustafa tha se “Mbledhja do të vazhdojë të hënën, më 9 Shtator në orën 16, në Fakultetin Ekonomik”.

[59] Vazhdonim të banonim në një banesë, krejt  deri në gushtin e vitit 1969 kur shkova në shërbimin ushtarak.

[60] Kopja e këtij dokumenti është konfiskuar me rastin e arrestimit tim, i evidencuar në dokumentin “Vërtetimtë “Sekretari­atit për Punë të Brendshme- Drejtorati i SHSSH Prishtinë, më 4.08. 1981” “49.” me këtë specifikim:”Një letër e shtypur me makinë, të  cilën me 11. shtator 1968, ja ka  dërguar KQ të LK të KSAK me titull “Leni provokimet”, gjithashtu e dërguar në mënyrë anonime”, shih në ”Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, më 12 Nëntor 1981, me numrit: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[61] Përshtatje nga “majke”  në “atdhe”.

[62] Përshtatje nga “Prokletija” në “udhë”. 

[63]  Citat i saktë është: “Albanci imaju dve majke, jednu ovde a drugu preko Prokletrija, u Albaniji!”

[64] shih në ”Dosjen e procedurës së Gjykimit tim, më 12 Nëntor 1981, me numrit: ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”. Dokumentin e plotë ua bëra të njohur Ismailit në prani të Tahirit pas tri ditësh, pikërisht m ë 14 Shtator 1968, si gjithën duke i “cakërruar” në “Kajami”. Dhe duke me përgëzua për guximin dhe qartësinë e mendimit politik marksist–leninist të kamufluar me kfiskën- “Titoizëm”, Ismaili do të  konstaton: “Ti na e paske hapur frontin e Luftës dhe më nuk mund të heshtim!...”

[65] Në ankesën  time drejtuar “Gjykatës  së Qarkut të Prishtinës”, më 25 Mars 1982 në fq.35,  shkrimin  dhe dërgimin e  pamfletit: “Leni provokimet”, Prishtinë, të 11 Shtatorit 1968, e kam arsyetuar :”Këtu shihet, veçmas ajo pjekuria ime politike kundër përçarjes midis kombeve, ku u bëhet kritikë e hapët funksionarëve politik e qeveritarë të Kosovës- pse ata hyjnë, fillojnë aksione politike pa i harmonizuar qëndrimet dh kështu e përçajnë masen. Aludova për bashkimin e jo  përçarjen”, Shih më gjerësisht Ankesën drejtuar “Gjykatës  së Qarkut të Prishtinës”, më 25 Mars 1982 (gjithsej 38 faqe A-4)  në Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[66]  Për faktin se unë isha i zënë në përgatitjen e Ekspozitës: “Alfabeti Shqip nëpër dokumente arkivale”, në shenjë të “’60- Vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14 Nëntor 1908-14 Nëntor 1968”, roli im në organizimin e “Demonstratave të 27 Nëntorit” i përket vetëm ndihmës logjistike që do të pasqyrohet  në vijim.

[67] Shih më gjerësisht, Dr. Muhamet Pirraku Konteksti politik i Kërkesave Demonstratave të vitit 1968 në librin: Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 251-256.

[68] Kjo ishte veprimtari e Arkivit Shtetëror të Kosovës. Për këtë ekspozitë kisha hulumtuar që nga Nëntori 1976.  Ekspozita u formulua në 40 pano me madhësi: 1.20x2.20. Sipërfaqja e secilit pano ishte e veshur me dokumente e fotografi të rilindësve.

[69] Ekspozita u hapë në Mitrivicë (25.XI-5.XII ), Vushtrri (5-8.XII), Pejë (9-14.XII), Gjakovë (14-17.XII., Prizren (18-22.XII), Gilan (22-27.XII), Ferizaj (27.XII 1968- 5 . I. 1969, prej nga sipas marrëveshjeve midis Arkivit të Kosovës dhe Shkollës së  lartë Pedagogjike” të Shkupit. më 8. I. 1969 mëmzi e vendosa në shkollën“Liria” në “Çair” të Shkupit, por të nesërmen në mëngjes e gjata të “burgosur nga policia e shtetit në nevojtoret e  shkollës. Ekspozitën do t kthej d  detyrimisht në Arkivin Shtetëror të Kosovës në Prishtinë, 15 Janar 1969.

[70]  Më 16 nëntor  gazetari Ali D. Jasiqi, kishte shkruar për hapjen e   ekspozitën “Alfabeti  shqip nëpër dokumente arkivale”,”... ku në mes tjerash përmend emnin tim si njëri që dha kontribut të madh në këtë drejtim. Sot ... erdhi drejtori i cili më tha: Ali Jasiqi ka shkruar veç për ty. Mos të na hynë të keqit në mes me na turbulluar... Edhe unë kam dhanë kontribut... I tash: nuk kam bisedue me  Aliun për këtë gjë, por ishte merdhezë dhe nuk kuptonte...”!?! Sot , 17 .XI-1968, ora 14.30.                                  

[71] “Banesë, 17  XI. 1968, në orën 23.35, Meti”.

[72] Për parën herë Ismailin, me këtë rast, e kam parë me laps në dorë duke i vu në letër konceptet të cilat në një farë mënyre i formulonim së bashku, gjithnjë  duke u mbështetur në burimet që i kishim para veti.

[73] Librin e Selatin Novoselles, “Kosova ‘68”, Prishtinë 1993 e  lexova, në janar 1964. Nuk munda të mos i them autorit të përkushtuar: “E ke lenë  Korifeun (Ismailin) pa pjesën e tij. Kush ishte një Osmani me shokët?!, athua këta ishin ideatorët dhe  forca mendore, apo fidai për kurban të Lirisë!?!”. I thash se kam pasur fatin qe t’i diktoja Ismailit konceptin  për “Fjalimit dhe Kërkesat”.

[74]  Këto kërkesa  ishin ndër kryesoret në pamfletet e mia, e të cilat kanë qenë në tekst, e “Fjalimit” deri në mbrëmjen e 21 Nëntorit 1968, për çka do të flitet më vonë.

[75]  Vërtet, teksti i “Fjalimit dhe i shtatë kërkesave si dhe i tri thirrjeve në fund,  të cilat për shkencën i pari i bëri të njohura eruditi S. Novosella në “Kosova ‘68”, fq.52- 55 nuk janë plotësisht identike me konceptin e tekstit që e definuam së bashku me Ismailin, por poenta është ajo e 17 nëntorit, me përjashtim se nuk janë dhjetë kërkesa por janë shtatë dhe tri thirrjet në fund. Dokument i botuar nga Selatini është proceduar në procedurën gjyqësore të Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, më 10. II.1969. (të cilin e posedoj). Sa më kujtohet teksti i lexuar më 21 Nëntor nga pesë shokë të “Çetës” (Ganiu, Tahiri, Dema dhe unë, në prani të Ismailit) në fazën përfundimtare iu bënë disa shkurtime e “zbutje” ka edhe disa gabime teknike të cilat i patëm harrë me dorën e Gani Bobit. 

[76] Këtë informatë do të ma sigurojnë  Bajo (Mutat Blaku) në prani të Tahir Abdylit  e Osman Lecit, me 26 Nëntor, në “Korzo” të Prishtinës. Murati  më tha se tekstin e “Fjalimit” e kishte lexuar dhe “ redaktuar  gjuhësisht”.  Të tretë sapo ishin kthyer nga Besiana (atëherë Podujevë), ku kishin qenë lidhur me organizimin e Demonstratave atje  për në mesditë, si uverturë për “Festën e Madhe” në Prishtinë, në  orën 16.00, të 27 Nëntorit 1968.

[77] Meqë isha i zënë me  punë “ciceroni” në Ekspozitë, por edhe me angazhime në aranzhime për ta bartur ekspozitën në Mitrovicë, shokët e “Çetës” kohë pas kohe më informonin për stadin e ecurive në përgatitjet  organizative të Demonstratave.

[78]  Realisht, isha duke interpretuar në ekspozitën: “Alfabeti shqip nëpër dokumente arkivale”,  para dy klasave të një shkolle të mesme të Prishtinës. Në notesin e asaj dite midis të tjerash, qëndron: “Ishte ora 15.30. Në ekspozitë erdhi i Ismaili me Sylejman Pestreshen... Në fund Ismaili mu afrua: “Çerqiz, rreth orës 21 Ju pres në “Teçe”. Ndali shokët që vijnë dhe merri me veti se kemi punë të rëndësishme...!” I pari erdhi Tahiri, tani Dema e pas tij Ganiu. Së bashku shkuem ne “Kajami”...!”

[79] Citoj tekstualisht vazhdimin e notesii të datës 21 Nëntor  1968, ora 23.55: Ismaili tha: “Ne pleqet duhet të kryejmë detyrën organizative për masivizimin e Demonstratës, kurse studentet do të dalin në ballë!” I ndamë  detyra kush ku të punojë me studentë, nxënës , punëtorë, por edhe me qytetarë, Së pari secili duhet të veprojë në kolektivet punuese dhe atje ku ka shokë, por pa u ekspozue! Nuk mbajtëm shënime  për detyrat, për arsye sigurie, siç tha aismaili. Nisem me radhë nga  shkollat e mesme, Fehmiu (Pashkolli) në “Normale”, Dema (Feta) në Teknikë,  Gërvalla(Idrizi) në Shkollën e Nxanësve në Ekonomi, Ismaili (Dumosshi) në  Elektoekonomi, në Obiliq, Ganu (Bobi), Pireva (Adili)  në “Rilindja”, Gjakushi (Çapari) e  Hsani (Salaj) në Radio (Prishtina), Halili (Alidema) në Komunë dhe administratë krahinore, Sylejmni (Pestresha) në Shkollën Bujqësore(ku kishte qenë profesor) dhe në  administratën e bankave dhe të ekonomive. Me student në Filozofikun, Murati, Muhabeti, Dema, Tahiri”, të citët duhej ta shtrinin aktivitetin edhe në Ekonomikun, Juridikun e gjetkë, por gjithnjë “pas shpines së studentëve”, të vepronim në “katër sy!” pa u ekspozua që studentet ta merrnin barrën nëse burgosen. Ne e profesorët duhet të mbesnim të pa zbuluar, për vazhdimin e aktiviteteve, për kontinuitet të Lëvizjes! Sa kam mësuar më vonë, këso takimesh Ismaili  do të mbajë edhe me bashkëveprimtarët e tjerë tëÇetës” e të “Gotës”.

[80] Tahir Abdylit, sapo  u ktheva në banesë nga Ismaili, ia bëra të njohur faktin se me Ismailin “...e kemi konceptuar “Fjalimin me 10 kërkesa”. Sapo Ganiu e lexoi, Tahiri, pak si “fshehur” ma shtrëngoi dorën!

[81]    vonë shumë studentë, e nxënës të shkollave të mesme, ma kanë konfirmuar se kishin qenë ata që i kishin boritur ato parulla, të cilat nga pushteti komunist jugosllav u quajtën “Armiqësore”- kundër “Rendit kushtetues” e Vëllazërim- bashkimit të popujve e të kombësive të Jugosllavisë”!                                       

[82] Nuk mund ta di se çka ka biseduar me të tjerët, por nisura nga ajo që më porosit mua, mund të kuptohet se  përafërsisht ngjashëm i ka informuar dhe porositur edhen të tjerët: “Çerqiz, puna po ec mirë. Studentët i kanë ndarë rolet me entuziazëm  për sakrificë, por ne na mbetet vetëm t’i mbështesim me propagandë,  të sjellim edhe qytetarë, fshtarë e punëtorë  në demonstratë, sidomos të rethinës së Prishrinës ...!” Ismailin e informova se në Drenicën Jugore, kam angazhuare disa mësues e punëtorë të “Ramiz Sadikut” e të ”Mihjes së thëngjillit” që më 27 Nëntor rreth orës 16 të gjenden që Prishtinë, për t’ia bashkuar demonstratëve, kurse nesër në mëngjes do të udhëtoj për në Drenicën Veriore, për të angazhuar disa mësues e nëpunës që t’i organizojnë mësuesit, fshatarët dhe punëtorët e atyre viseve që të vinin në demonstratën e 27 Nëntorit...!”. Për fat janë ruajtur dy jetesa në vargje:  “Po ja themë këngën” në 15 vargje, me shënimin: “ora 11’ në 10h 24-XI-68, Makresh, në mes të Likashanit e Graadicës )sot Dodonë). Notesi tjetër  petok “Vendi im në dimër” i ka 10 vargje me shënimin: “ Ora 10h pa 5’, data 24- XI-68, Makresh – Në mes të Likashanit dhe Gradicës, i ndalur në këmbë në mes të rrugës. Po shkoj te miqtë për ti vizituar fëmijët dhe gruan”.  Shih gjerësisht kopjet e poezive “armiqësore” në Dosja Muhamet Pirraku,  ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës. Atë ditë, ditë  deri në muzg, së bashku me Dastan Mujë Miftarin (vëlla i gruas sime, ish- pjesëtarë i Organizatës së Adem Demaçit  të vitit 1963/64, i ngarkuar për të ushtruar të rinjtë në përdorimin e armëve), kontaktuam me shumë mësues, fshatarë e nëpunës në Likashan, Qirez, Palac, Palluzhë e Skenderaj. Meqë ndiqnim lidhjet miqësore me besim të plotë, ata i autorizonim të organizonin pjesëmarrjen masive  të individëve në Demonstratën e 27  nëntorit , nga ora 16.  

[83] Atje ekspozita mbeti e hapur deri me 5 Dhjetor 1968. Nuk flija në Mitrovicë, udhëtoja me autobus çdo mëngjes e mbrëmje për të qenë në kontakt me ecuritë e përgatitjeve të Demonstratave të 27 Nëntorit.

[84] Ata ishin takuar me shumë veprimtarë të cilët ishin gati të viheshin në ballë të demonstruesve. Takimi u bë në “Kafen e Sabitit”.

[85] Shih gjerësisht, Dr. Muhamet Pirraku Konteksti politik i Kërkesave Demonstratave të vitit 1968 në librin: Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 251-256.

[86]  Dola në Stacionin e autobusëve, por edhe rendi i “qarkullimit të autobusëve” kishte pësuar. Në Prishtinë arrita rreth orës 22. Zbrita në hyrje të Prishtinës, për ta përjetuar “atmosferën në “Korzo!” Shkretëtirë, heshtje varri. Disa punëtor të “Çistoçes” tubonin xhama e bërllok gjithnjë në prani të shumë milicëve.

[87]  Sot ndihem fajtor sa rëndë i qortova: Vëllain (në amshim prej 12 Tetorit 1972) dhe Tahirin (sot me shëndet që e mban në dhomë), pse ata nuk kishin dalë në ballë të demonstruesve, “për t’u vrarë?!” Këtë mëkat timin do ta përjetësojë, më 30 Nëntor 1968, në 21 vargje “poetike” nën titullin ”Pse...” ku midis të tjerave i kisha shfry idealet  e mia që ishin edhe të tyre: ”... Pse ti shok  u ktheve/ e ti vëlla i im,/pse u kthyat prap/ Pse nuk vdiqet-/ Ju të marr, femi/ Pse, kush ju dhimbet/ kush ju qanë-/ sikur të vdekshit për liri.../ O i pa fat jam/ Qe mu kthyet prap/ vetem me plagë.../Pse nuk vdiqet për liri...?!” Nuk i citova  nëntë vargjet e para ku e mallkoja vetën pse isha lidhur për Ekspozitën në Mitrovicë: “Pse nuk shkova për të  vdekë/ atje  ku demonstruan të rinjt...” !?!

[88]  Titujt e poezive të ruajtura janë: “ E adhuroj…” (15 vargje),  “Polici roje” (25 vargje), poezinë e pare e përfundoja me thirrjet: “O, e due diellin e kuq/ E urrej robërinë e zezë/ O e dua lirinë!”, kurse në të dytën pasqyrova ndjenjat në minutat kur polici më urdhëroi ta mbyllja derën e sallës, të mos pranoja më  vizitorë për atë ditë. Të citoj vetëm shtatë rreshta që  pasqyrojnë atë që ua thash nxënësve të një klase të Gjimnazit. U ndala tek fotografia e Ismail Pashës i cili kishte vdekur nga pika në foltore, duke mbrojtur grafinë arabe për shkrim të shqipes: ” Ndegjoni nxënës!/ Ismail Pasha në Kongresin e Dibrës me 1909 cofi!?/ Ai që është tradhtar i kombit për mue cofë/ e nuk vdes- dijeni!/ Dhe kështu u shfryna. 28-XI- 68”. Më 29 Nëntor 1968: “Një yll I fikur- kushtuar N.” (16 vargje), më 30  Nëntor: “Nëndori I kuq” (18 vargje),  dhe “Pse…” ( e përmendur, 21 varg), etj.

[89] Përpos në lënden Notesë,ditarë, e poezi  që kam arritur t’i fsheh para arrestimit të 4 Gushtit 1981, ky aktivitet pasqyrohet në mënyrën e plotë të mundshme,  nga kopjet e shkrimeve “inkriminuese” në Dosjen K.br.405/81, Kio br. 255/81 në Arkivin Historik të Prishtinës, ndonëse aty janë vetëm rreth 2% e materialeve të konfiskuara.

[90] Së bashku kemi vendosur që njëri ndër avokatët të ishte Filo Filota,  beogradas me prejardhje  ebreje, i cili aso kohe konsiderohej avokati më me tagër në Jugosllavi. E di sigurt se për angazhimin e tij, për në Beograd udhëtuan Ismaili me Demë Fetën. Gjatë kohës së Gjykimit Filota ishte i vendosur në Hotelin “Metohija” të Pejës. Në këtë hotel e kam pasur një kamerier  shok të besueshëm”, pikërisht nga  9-14 Dhjetori 1968. Sa isha në Pejë  me ekspozitën: “Alfabeti Shqip nëpër dokumente arkivale”, banoja në “Metohija”. Me këtë kamerier me kishte miqësuar korrektori i gazetës “Rilindja”, Enver Kelmendi. Përmes këtij kamerieri do ta pajisnim avokatin Filota me të dhëna të besueshme nga ecuria e procedurës gjyqësore. Informatat  kryesisht i siguronte Ismaili, por nuk mungonim edhe ne, të tjerët, kurs në hotelin “Metohija” i përcillnim:  herë unë,  herë Ganiu e herë Dema. Vetëm Ismaili si vëlla i Osmanit, kishte alibi të kontaktonte me avokatin Filota, pa  ndonjë rrjedhim negativ për procesin gjyqësor. 

[91] Realisht, nëse krahasojmë kërkesat e Aktiveve politike të LKJ në organizatat punuese e të komiteteve komunale në Kosovë  të Gusht –Shtatorit 1968 me përmbajtjen e ”Fjalimit me kërkesat” që i lexoi Osman Dumoshi para Teatrit Krahinor, del se teksti përfundimtar i “Fjalimit” thënë simbolikisht u aprovua nga “Shokët e Gotës” së Ismailit, të cilët ishin përgjegjës politik, të “Sigurimit Shtetëror” dhe të “hetuesisë”. Këtu e shoh  edhe faktin se pse nuk u burgosem ne “Pleqtë”, por edhe faktin se të gjithë “Organizatorët”- Kurban të kësaj kthese historike, pas burgut i vazhduan studimet dhe u punësuan në vende të rëndësishme, gjë që nuk do të ndodhë me të burgosurit e vitit 1975, e veçanërisht me ata  të “Pranverës Shqiptare ‘81”. 

[92]  Për të gjitha këto gjykime i kam ndarë informatai e botuara në shtyp, kam krijuar album në fletët e  të Ditarit të vitit 1969 dhe i kam komentuar gjykimet nisur nga mndimi filozofik  marksist- leninist në inetres të çlirimtar kombëtar shqiptar. Shih gjerësisht Dosja Muhamet Pirraku,  ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës, njësia “Ditari i Punës dhe i Jetës për vitin 1969”.

[93] Ismail Dumoshi nuk ka qenë ideator për këtë nismë propagandistike, por nuk ka munguar angazhimi im dhe i të tjerëve nga “Çeta” .

[94] Pushteti vuri në lëvizje policë e ushtarë  të mbështetur madje edhe me armatim artilerik. E përcolla efektin e propagandës sonë dhe të kërcënimit të  pushtetit.  Nga para orës 07, kohë pas kohe shtetit rrugëve të Prishtinës madje edhe në kompleksin e varreve, mora opinione të studentëve e të qytetarëve  deri në orët e vona të 27 marsit. Të nesërmen para se ta filloja punën e përmbylla pasqyrimin e  atmosferës politike e të sigurisë në tri faqe të ditarit. Këtë pasqyrim e përmbylla me këtë konstatim: -“ Dita kaloi dhe nuk u bë gjë, sepse shqiptarët intervenuan- intervenuam- Gjaku ka me u derdhë!- thanë- por Hsan Prishtrina ka thënë: “Gjaku i shqiptarit është i shtrenjët dhe kemi ku ta derdhim!” - Bremja në korzo, mija të rinjë. Shetitënim dhe bisedonjim- Mirë, është bërë... gjaku... – Oh, përherë të parë po ndi së qeveria i kërcnohet njeriut me gjak, për herë të parë... rast i rrallë!? – Ç’është gjaku?-Ç’është Liria? Gjaku e Liria nuk bëjnë bashkë, Liria lind në Gjak e gjaku sjellë lirinë... Gjaku- liria! Sot, 28 Mars 1969, zyrë, ora 8.30”. Shih dokumentin autentik: Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq. 56,57, 58.

[95] Në ditarin e së martës së 1 Prillit 1969, midis të tjerash kam konstatuar: “... Në brëmje isha në qytet- flitej nga të rijt së nester do të ketë turbullim, pasi fillon gjykimi i 9 vete, pjesëmarrës të demonstratave-organizonjës? Nuk di çka do të bëhej. Tahiri nuk qe me mua, ishte në Gllogovc...” Shih, Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq.62.

[96] Në ditën kur filloi gjykimi e përcolla me besnikëri idealisti  atmosferën në qytet e pranë Gjyqit të Qarkut, për faktin se në shpirt  e ndija një pjesë të fajit për dënimin e tyre. Në vijimësi mbajta ditar për atë që pash e dëgjova, por të ndalem shkurt vetën  në ditarin e së mërkurës,  të 2 Prillit 1969, i  titullar: ”Gjykimi i Demostrantëvet pranë Gjyqit të Qarkut- Krahinor- në Prishtinë ?! ku që në fillim saktësoja: ”Ca ditë me parë mora vesh për ditën që duhej  t’burgosurit me dalë para gjyqit- para Gjyqit-para bankës së zezë “të drejtësisë” dhe ja gdhiu dielli i qeshur i 2 prillit. Moti është i mirë, dhe i ngjanë në ditës së  pranverës. Kah ora 9.... (para) Gjyqit...ishin tubua nja 250 veta? Në mesin e tyre më tepër kishte fshatarë me kësula të  bardha..!” Shih gjerësisht; Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq. 63,64.

[97] Në ditarin e asaj dite, midis të tjerash kisha konstatua: “Motivi organizuas  të demonstratavet armiqësor, të padokumentuar me burime origjinale... Mbrojtësit e tyre, advoktet më në zë, si  Filat Filloti, e të tjerë, janë të idhnuar dhe betohen së kanë me i lirua, sepse nuk ka dokumente që vërtetojnë armiqësinë, e këtyre demonstrantvet kundër  vëllazërimit e bashkimit të popujve!?” Shih Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq.75,76.

[98] Në notesin për datën 22  dhe 23 Mars 1969, Stankovc (sot Flamuras), midis të tjerash kisha saktësuar: “Me të vërtetë, këto zgjedhje u bënë shumë keq. Deputetet e propozuar nga populli nuk u pranuan askund. Ata që janë  zgjedhë përfaqësojnë  vetëm politikën jugosllave e jo popullin”.Nga  dynotese shihet se tri aktive më kishin propozuar për deputet federativ. I Barilevës së Prishtinës dhe dy në Drenicë, duke mos pasur dijeni se nuk isha anëtar i LKJ-së. Zgjedhjet u organizuan më 13 Prill, e diele. I Zoti i Shtëpisë, vëllai im, Shaqa, më ftoi të shkoja për të votuar! Ky do të ishte votimi  im i parë, por sa ishim në radhë para shkollës  për të hyrë në sallën ku votohej, ia mbërrini një “Xhip”, nga i cili dolën dy “komunarë”. Ata sollën “Urdhrin nga lartë” që “Të hiqet Flamuri Shqiptar!”?!? Sapo e hoqën Flamurin Shqiptar e mora gruan për krahu, vëllezërve, kunatave, dhe bashkëfshata­rëve ua kthyem shpinën. U ktheva në Prishtinë dhe së bashku me Tahir Abdylin shkuam mysafir tek prindërit e tij, në Kërrninë.  Shih  më gjerësisht: Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq.52, 80-81.

[99] Në ditarin e së shtunës së 19 marsit 1969, midis të tjerave e  kam konstatuar opinioni e shokëve të  Çetës” pas shpërndarjes nga “korzoja”:  Ismailit, Ganiut, Demës, Gjakushit, Halilit, Hasanit e Tahirit, Osmanit: “Sot ju vuan themelet Shtëpisë së “Heronjvet-Boros dhe Ramizit”. Gurin e parë të themelit e ka hudhë Fadil Hoxha, i deleguari special i Titos. Aty u mbillen edhe pemët e paqës. – Interesant! Valuan ca flamuj jugosllav, serb e  të proletariatit, por nuk faloi flamuri Shqiptar- jo! Dhe tani flitej për vëllazërimin dhe bashkimin e popujve, për barazinë e tyre kombëtare!? Ku është barazia? Boro dhe Ramizi kanë patur barazi- Flamujt e  barbart, idealet e barabarta- vdeken e barabart; vetem ata janë komunista dhe besoj, sikur ta dijnë ata këtë gjë, prej dheut do të nxjerrinë zë-kundër padrejtësisë! Dobësi e faktorëve politik, që padasht, po na bëjnë të smuar- ndaj rendit të sotshëm”. Shih, Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq. 88,89.

[100] Realisht, nga 30 Janari deri 22 Korrik hulumtova dokumente e fotografi për ekspozitën “50-vjetori i PKJ-së”. Kjo më mundësoi ta njoh programin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë midis Dy Luftërave Botërore dhe gjatë LANÇJ-së që flisnin edhe për të drejtën e kombit shqiptar në vetëvendosje. Pra, mbështetja ishte këtu. Sa më kujtohej, pamfletin e adresova së paku të një reviste javore apo gazetë ditore në të gjitha republikat e Jugosllavisë. Kopja e këtij “Pamfleti” u konfiskua me rastin e arrestimit tim dhe Shefi i grupit të inspektorëve hetues ndaj meje, Sabah Muhagjeri e evidencoi në dokumentin “Vërtetimtë “Sekretari­atit për Punë të Brendshme- Drejtorati i SHSSH Prishtinë, më 4.08. 1981” “47.”, me këtë specifikim: “Një artikull i shtypur në 3 faqe me makinë, në gjuhën serbokroate: “Proglas grupe mladih sa Kosova- Poštenog opinijona Socijalistićke Judosllavije- sa rijeni na djepo na  čelu sa Titom! (shqip do të thoshte: “Thirrje e një grupi të rinjsh nga Kosova-Opinionit të ndershëm të Jugosllavisë Socijaliste- nga fjalët në vepra në krye me Titon!” Shih, dokumentin “Vërtetitë “Sekretari­atit për Punë të Brendshme- Drejtorati i SHSSH Prishtinë, më 4.08. 1981në Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[101] Ja vetëm  dy fragmente: “20 Prill 1969, e diel. Disi, nuk jam mirë. Situata që po zhvillohej, në dëm të vëllazërimit të popujve, nuk me pelqen.- Nuk ka Liri kombëtare pa barazi të plotë kombëtare!... disponimi për jetë- është i cunguar dhe në vedi bëjë pyetje- athu do ta pres lirinë?, Atë që proklamon PK, atë që njeriut i takon nga natyra?...” Shih gjerësisht, Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq. 89, 90.

[102] Mirëpo shkrimi dhe dërgimi me postë i pamfletit: “Proglas grupe mladih sa  Kosova- Poštenog opinijona Socijalistićke Judosllavije- sa rijeni na djepo na  čelu sa Titom!” në shumë redaksi (të gjitha jugosllave – antishqiptare, sipas shumë gjasash alarmoi sigurimin e shtetit dhe me dekonspiroi. Më 27 nga Ismail Dumoshi mësova se isha vu nën “Llupën e Udbes”. Të citoj vetëm dy fragmente nga Ditari: “E marte. 27 Maj /69, Prishtinë... Në mbrëmje shëtita në korzo, me Osman Lecin, Murat Blakun, Dumoshin e ca të tjerë (Ismaili disi nuk tregonte gjallëri, më ndau dhe në ecje e sipër ma komunikoi informatën që e kishte mësuar, të themi me eufemizëm, nga  një “Shok i Gotës), e të cilën  e vura në ditarin e kësaj dite me nëntitull të dalluar: “Sot kuptova- mësova një gjë: Në Sekre-tariatin për punë të Brendshme është hapë dosia për mua!?  Shëndosh qofsha gjer në momentin e fundit, kur të arrestohem, dhe tani e pyes vedin – PSE?... Rrnoftë Liria!  E drejta  dhe Partia!... Unë do të jetoj edhe nëse vdesë! Edhe kur të vdes?! Përpara!!! Meti” Shih, ditarin e plotë Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës” Ditari për vitin 1969, fq. 123.

[103] Në ankesën time kundër vendimit të Gjyqit komunal të Prishtinës, të 12 Nëntorit 1968  për pamfletin “Proglas  grupe mladih sa Kosova- poštenog opinijona Socijalističkeë Jugoslavije - sa rijeçi na djepo na čelu sa Titom!”, sa më duket e muajit Prill 1969. Këtu, më mirë  se kushdo tjetër kërkoj e përpiqem për barazi kombëtare për vëllazërim e bashkim në stilin e jetës e të vdekës së Boros e Ramizit” shih  ankesën drejtuar “Gjykatës  së Qarkut të Prishtinës”, më 25 Mars 1982 (38 faqe A-4)ndfq.35, në   Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[104] Nga gushti i vitit 1969 , për 12 muaj isha  në Shërbimin ushtarak. Gati njëkohësit në  shërbimin ushtarak ishte edhe “Bajo” (Murat  Blaku) dhe Tahir Abdyli. Në këtë periudhë me Ismail Dumoshin  kam pasur vetëm një kontakt  sy më sy, kemi shkëmbyer  vetëm nga dy kartëpostale, për faktin se Ismaili  ishte i kujdesshëm të mos linte dëshmi me shkrim që mund të na sillte “telashe”, për faktin se unë nuk isha i “kujdesëm”!?!

[105] I fola se si ishte pritur “Fjalimi i Xhaxhit” nga oficerët e Armatës Jugosllave dhe e informova se Murati e Tahiri për njëherë më kishin shkruar me entuziazëm euforik për “Fjalën e Xhaxhit”!?! Këto letra do të më konfiskohen më 4 Gusht 1981 dhe vetëm shpirti im e din  se si i kam “shfajësuar” ata dhe vetën para kryehetuesit Sabah Muhagjeri.

 

[106] “...Nuk më kujtohet përpikërish përmbajtja e saj, ngase në hetuesi nuk ma dhanë ta lexoja. Por, e di se me atë letër kam përmbajtur përpjekjet e shokut Tito që i bënte aso kohe në luftë me nacionalizmin, shofenizmin, etatizmin, burokratizmin e liberalizn\min  në Serbi, Kroaci e gjetkë. Jam i sigurt se gjithmonë e kam konsideruar vetën luftëtar të tij...!”

[107] I pëlqeu por ma tërhoqi vërejtjen: “Qerqiz, kujdes se mund ta pësojmë, pasi asnjë letër adresuar Titos ose ndonjë instance qeveritare e partiake në Beograd nuk shkon nga këtu pa u kontrolluar. Nëse më dëgjon mua më mos rreziko përfundimisht...!” Nuk mund ta riprodhoj me besnikëri përmbajtjen e këtij dokumenti, ndaj të mjaftohem me specifikimin që i ka bërë Shefi i grupit të inspektorëve hetues ndaj meje, Sabah Muhagjeri,  i cili  e ka evidencuar në dokumentin “Vërtetimtë “Sekretari­atit për Punë të Brendshme- Drejtorati i SHSSH Prishtinë, më 4.08. 1981” “48.”: Një letër e shtypur në makinë, në dy faqet në Gjuhën serbokroate të cilën më 10. shtator 1970, në mënyrë anonime ja ka dërguar shokut Tito”.

[108] Janë ruajtur shënimet me një skicë nga kjo ligjëratë me shënimin notes:”Pas ligjëratës, Ismaili, Murati, tahiri, Ganiu, Dema dhe unë shkuam në Tavernë të “Bozhurit” ku pimë dhe bëmë biseda vëllazërore. Çabej Burrë i madh. Meti”.

[109] Kjo e dhënë është e vetmja në këtë shkrim të cilën e paraqita në bazë të kujtesës, meqë notesi nga kjo ditë është konfiskuar nga SSH i Prishtinës, më 4  Gusht 1981.

[110] Të përmendim këtu  vetëm  ligjëratën  e Prof. Dr. Stefanaq Pollo: “Disa çështje teorike mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, e mbajtur më  10 Mars 1976, e cila u bë nxitje vendimtare që të orientohem për doktoratë në “Kulturën Kombëtare Shqiptare”.  Gjithnjë me iniciativën e Ismailit  e kemi shoqëruar Prof. Pllon deri në “Bozhur”, e kemi ”ngritur” nga një “Skenderbeg”(ishin edhe Tahiri, Fefmiu, Tefiku).

[111] Vërtet, nga mesi i vitit 1969 “Bajo” (M. Blaku)  nuk ishte shumë  aktiv në “Çetë”, për faktin se kishte shumë angazhime si asistent në  Fakultetin e Albanologjisë, por ishte edhe më i kujdeshëm,  kurse “Çerqizi” (M. Pirraku) nga fundi i vitit 1971 shkoi të studionte për Shkallën pas Universitare në Universitetin e Zagrebit (ku mbrojti  tezën e magjistraturës), e tani iu dha hulumtimit të burimeve historiografike në vend dhe jashtë vendit, për  tezën e doktoratës: “Kulturën Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, përfundimi­sht deri në fund të marsit të vitit 1981.

[112] Shkak u bë botimi i fejtonit: ”Lëvizja përparimtare komuniste e rinisë në Kosovë midis Dy Luftërave Botërore, “Rilindja” 27 Janar-16 Shkurt 1974. Realisht, e keqja publike nisi një ditë pa e ndërprerë botimin e fejtonit.  Më 15 Shkurt 1974 më ftoi Aslan Fazlija, Kryetar i LSPPK,  me të cilin midis të tjerash polemizuam edhe për Ramë Bllacën. Ai dhe mu kërcënua që të heq dorë publikisht nga fejtoni. Pasi nuk pranova më tha: “Pra hallallshtisu me vendin e punës dhe me shtypin...!”.Me 19 Shkurt 1974, më mori përpara “Susllovi i LKJ-së së Kosovës Ismaiil Bajra: ”Marksizmi dhe historia kombëtare”, “Rilindja”,19 Shkurt 1974. Të nesërmen në terrin e parë Drejtori i Institutit të Historisë, Ali Hadri dhe Fehmi Pushkolli më erdhën në banesë dhe me ftuan të shkoja me ta “për një kafe!” Itinerari ishte kafeneja në “DevetJugoviq” (Sot Bardh). Aliu si drejtor, e Fehmiu si “Shok”, kërkuan  që publikisht të hiqja dorë nga shkrimi im. Përgjigja ime ishte decidive: “Ju jeni historianë  me tituj shkencor të lartë, dhe urdhëroni e  shkruani kritikë, le të mbetet dëshmi si shkrimi ime për doktoratën Tuaj!” (Aliut). Pasoi kërcënimi për “largimin nga vendi i punës!”, mirëpo zgjidhjen e bëra pa menduar për pasojat:”Ai që merr  vendim për t’u ndalë bukën fëmijëve të mi , le të hallashtiset me fëmijët e vetë...!”  Dola nga kafeneja. I Falënderoi që nuk më lanë të kthehesha këmbë dhe veçantë që më kuptuan dhe heshtën!

[113] Më 28 Shkurt 1974 Organizata e LKJ-s- së  NGB “Rilindja” e botoi komunikatën për opinion me titull: “Për qasje  klasore të temave” e më nëntitullin: “porositë ideore të fejtonit “Lëvizja e rinisë komuniste midis dy luftërave” vlerësohen të pa të pa pranueshme dhe të dëmshme për edukimin e brezit të rinj”. Teksti i plot ka dy shtylla të nënshkruara nga T. G, më vonë “koleg” imi i burgut, e mik. Të citoi vetëm fillimin: “ Komunistët e gazetës, revistave dhe edicionit të botimeve të “Rilindjes” në mbledhjen e parmbrëndshme  vlerësuan aktivitetin e vet në frymë të Letrës, të fjalëve të shkokut Tito dhe të platformës për Kongresin X të LKJ lidhur me disa çështje ideore në shkrime”(“Rilindja”. 28 Shkurt 1974) etj.

[114]  Rreth 10 ditë pas daljes nga burgu, Ismaili në shtëpinë e tij më Tha: “Shumë gjatë të shkoi pa u burgosur e shumë mirë shpëtove. Ty të kanë rrezikuar edhe Organizatat klandestine Komuniste Marksiste Leniniste, të cilat shkrimet tua legale i botonin si “pamflete”!?!  Se Ismaili ishte në rrjedhë të këtij realiteti, më 2001 ma vërtetoi edhe Hydajet Hyseni.

[115]  Krijimi, botimi dhe fati i këtij teksti  ka një histori të dhimbshme. Në vitin 1974 Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore e shpalli konkursin për këtë tekst. Autori duhej të shënohej me “shifër”- anonim. Dorëshktimi im fitoi midis disa dorëshkrimeve. Njëri prej atyre që “humben”, ishte Dr. Skënder Rizaj, i cili  u tregua i pashpirt  ndaj autorit “Fitues” dhe “vleftësuesve”.  Skënderi ankoi, u shkroi shumë instancave politike e qeveritare, i qeloi recensentët  ”...se nuk kanë pasur parasysh edukimin e fëmijëve... !?!”, kurse autorin fitues quajti  romantik” shkuar rilindësve të “shkollës Frashëriote”!?! Kopja e kësaj  “akuze”, fal lidhjeve të Ismil Dumoshit me Sekretariatin për Kulturë të Kosovës, të nesërmen nga dorëzimi “dora-dorës” ra në duar të mia dhe e ruaj si “Perle” nga Ismaili.  Enti  bëri presion ndaj tre recensuesve dhe mbi mua ndaj u detyrova të pranoj  një kompromis të dhimbshëm  “....që  për interesa të edukimit kombëtar të fëmijëve tanë, pjesën: “Historia e përgjithshme dhe historia  e popujve jugosllav”  të jetë e dr. Rizajt. Kurse pjesa: “Historia  e popullit shqiptar” të jetë  imja, me kusht që kjo të ”të saktësohet  në faqen  në para  “hyrjes”. Mehemet Shala e Faik Halili e morën “mëkatin” mbi vete, “pasi nxënësit do të mbetnin pa tekstin shkollor!” “Rastisi”  që kombinimin e njësive mësimore ta  bëja unë, pa praninë e Skënderit, ndaj preka tekstin e tij, e afrova me metodologjinë që kisha ndjekur.  Mirëpo për më tutje nuk do tregohem i kujdesshëm siç më këshillonte Ismaili. Pa vonuar e shkrova një artikull  pamflet kundër shkollës historiogrfike Çubrilloviqiane me titull “Roli i shqiptarëve në zgjidhje e krizës Lindore edhe më tutje “Terra incognito” për historiografinë botërore, “Bota e Re” nr. 19, Prishrinë 1975, fq. 13. Këtë shkrim e mori ‘Flamuri’ e i emigracionit shqiptar në Austrarli, e kjo i futi në lëvizje organizatat e LKJ-së dhe, pa mirëkuptimin e Ali Sutajt nga KK i LKJ-së Prishtinës dhe  guximit patriotik të sekretarit  të Institutit të Historisë,  juristit, Seit Lipa, do ta humbja edhe vendin e punës, Pasoja e parë ishte urdhri që libri i historisë  për kësen VII të mos përdorej,  të mos figuroj më si autor i teksteve shkollore!?!

[116] Nga fillimi i gushtit 1979 deri në fillim të Shkurtit 1980 isha për hulumtime shkencore dhe specializim për historinë e Kulturës në Institutin e Romanistikës- Gjermanistikës” në Vjenë. Rastisi që gjatë Dhjetorit 1979  në këtë Institut të ligjëroj për gjuhët Indoeuropiane Prof. Dr. Eqrem Çabej i shoqëruar nga Prof Dr. Jani Thomaj, i cili mbante kurse të gjuhës shqipe për fillestarë. Prof. Çabej nuk pati shëndet të mirë. Meqë shembujt për t’i sjellë në “Dërrasë të zezë” i kishte të nxjerrë në letër, me vullnet e mor rolin e “asistentit”.  Edhe kalimi i përbashkët të një pjese të kohës së lirë na krijoi rrethana të njihemi e të miqësohemi. Sapo Çabej do të arrijë në Tiranë ishte sëmur rëndë.  Lajmi  i keq përhapet me shpejtësi.  Në fillim të marsit 1980, i telefonova Prof. Çabejt  në shtëpi dhe mësova nga goja e tij se: “Po kurohet e  se po ndihej mirë...!” Pa vonuar i fola Ismailit për punën time dhe për ligjëratë e Prof. Çabejt në vjenë, si edhe për peripecitë rreth  shëndetit të tij. Ismaili ishte “Guri”, por  për një moment u “ligë”. Edhe sot më duket se po ia shoh kokrrat e lotëve që i zateteshin nën mjekër.

[117] Me 15 Mars 1980 kaluam kufirin në “Qafë të Thanës. Ishim katër veta: unë e Ibrahim Rugova(studius në Institutin Albanologjik), në një veturë, kurse shoqërues korçari burrë si ai, Miço Samara. Në Veturën tjetër: Liman Matoshi e Isa Bajçinovci (ligjërues në Fakultetin Albanologjik), kurse shoqërues  Enver Mehmeti. Në mbrëmje të asaj dite e nisa ditarin për ditën e parë në Shqipëri. Përshkrova me besnikëri pamjet shokante për vizionin tim për Shqipërinë e idealizuar. Që në hyrje dhjeta gra asht e lëkurë, e të përzhitura në fytyrë nga mrazi apo dielli, të ngarkuara me barrë dushku, si të ishin gomarë, a  mushka...!?!

[118] Në Tiranë kishte një “Rend” që ndryshonte nga “rendi ynë nën robërinë jugosllave”(!?!), duhej një procedurë për ta takuar një qytetar qoftë edhe një profesor universitar, qoftë pra edhe një Çabej!?! Kaloi një javë dhe Profesor Çabejn na e sollën në “Dajti”. Dukej mirë me shëndet dhe i disponuar për muhabet vëllazëror. Ia përcolla Përshëndetjen e Ismail Dumoshit, dhe gati sy më sy i tregova se “i kam dy amanete të tija për t’i lëshuar me dorën time në xhepin Tuaj, pa asnjë diskutim...!”. Kisha aparat “Kodak” dhe bëmë shumë fotografi  me  Profesor Çabejn, unë Ibrahimi dhe Isaja. Unë i bëra pozat madhështore të  Prof. Çabejt me dorë e djathtë lartë. Gjatë fotografimeve nga Isaja, shfrytëzova rastin dhe e kreva amanetin e Ismail Dumoshit me një diskrecion të plotë. Profesor Çabej, kur u ndamë, falënderoi Ismailin për “kujdesin  vëllazëror...!” dhe i dërgoi “Përshëndetje të Përzemërta...!”

[119] Më se një herë kam konstatuar se Sigurimi i Shtetit jugosllav më arrestoi më 4 Gusht 1981.  Pas vuajtjes së burgut në Burgun e Qarkut të Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Sarajevës, mësova nga Tahir Abdyli, se të gjithë shokët i kishte kapur paniku se mos do të “Thyhem në hetuesi “, që do të rezultonte me burgosjen e tyre, pos Ismail Dumoshit, për faktin se ky kishte informata të sakta nga prokuroria, gjyqi dhe hetuesia se: ”Çerqizi nuk po thyhej nga torturat psikike e fizike mizore,se nuk po zë ngoje emër të njeriut, e se para akëcilës  akuzë po e ve  gjoksin me vendosmëri për t’u sakrifikuar përfundimisht!”

[120] Një student i historisë sot magjistër Mr. Sadri Rexhepi nga Dafineti (Ish Vranidoll), kishte mësuar nga i vëllai Ibrahimi (gardian i burgut të Prishtinës, dhe nga shok i tij se gazetarit Arif Demolli, ish- nxënës imi shumë i dashur i ishin kapur ditarët nga viti i Ri 1971, ku kishte të dhëna komprometuese edhe për mua si adhurues i Enver Hoxhës dhe urrejtës i madh i Titos e i sistemit socialist jugosllav. Studenti Sadri Rexhepi, i kishte rruar flokët në “nulla”, për të marrë pamjen e një djaloshi të sapo dalë nga burgu hetues. Hyri në zyrë i ndrojtur nga frika se zyra mund të ishte nën vëzhgim. Nuk e njihja as ma tregoi emrin. Më tha: “Profesor kam nevojë  për juve...!”, dhe me dorë dha shenjë të dalim jashtë! Në korridor ma dha këtë informatë:  Dje më kanë liruar nga paraburgimi. Kam qenë në një çeli me Arif Demollin i cili çdo gjë që ka ditur për juve i ka pranuar në hetuesi ...!”( vazhdimi si më lartë). Meqë nuk e njihja, me mundësi se mund të ishte provokator i Sigurimit, i ktheva prerazi: “As Arifi  e as unë nuk kemi qenë kundër Titos as që jemi kundër Sistemit Komunist Jugosllav..!” E falën­derova për kujdesin dhe u përshëndetem pas 3 minutave.

[121] Nuk mund të dija se çka dinë e çka nuk dinë për aktivitetin tim politik, as nuk mund të parashihja kur do të më arrestonin, e çka do të merrnin nga arkiva ime. Shkova në shtëpi dhe i kushtova skejimit të dëshmive ”doravet”, kryesisht  më të reja se dhjetë vjet! Se nuk isha i  krejt i pafajshëm të mjaftohemi me  pasqyrimin e përmbledhur  të vetëm të tri ngjarje që lidheshin me ’81-in. Nga data 25 Mars 1981 kisha krijuar fakte që mund të zbuloheshin dhe vetëm për ato të më arrestonin e të më  dënonin, jo vetëm mua. E Para: në 25 Mars së bashku me Halil Ailidemen (ideator) dhe Demë Fetën kontaktuam me disa studentë dhe u folëm për nevojën e organizimit të një pengese kundër futjes së “Stafes së Titos “ në Prishtinë, më 26 Mars, dhe të pengohej mbajtja e “Mitingut kushtuar Ditëlindjes së Titos!” Mirëpo, më 26 Mars milicia speciale jugosllave i bllokoi studentet në Oborrin e Internateve, dhe shumë pak studentë arritën të shpërthenin bllokimin. Së këndejmi, ne treve nuk na mbeti  tjetër, pos të synonim “Rrugën e Ramë Bllacës në Parlamentin Jugosllav!?!”. Nuk mungoi përpjekja, por ishte e pamundur të afroheshim afër “Binës” së rrethuar me policë të veshur me rrobe civile. Fadil Hoxha, komunist idealist i veshur me një patriotizëm të isshëm, më 12 Tetor 2000 në shtëpinë e tij, para Komandantit të UÇK-së.  Z. Azem syla, Dr. Iljaz Metës  e Vahide Hoxhës, midis të tjerash, më tha : “Shumë ke ndryshuar Ti, o Pirrak...! Po a e di se ke dashur të ma shqyesh Stafetën e Titos, më 1981...!?!” (Shih më gjerësisht Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006,39-40.  E dyta: Më 1 Prill 1981 rreth orës 15 së bashku me Tahir Abdylin jemi nisur nga Instituti Albanologjik në drejtim të Semaforëve para “Menzës së studentëve”. Kishim Mantillë ngjyrë qielli, ecnim “srbez”, që policët  në kordon para Semaforëve të mendonin se jemi të “Sigurimit”. Tahiri ishte në anën e djathtë dhe sa kemi  arritur tek kordoni, policëve u kam thërritur ngadalë:”Pustete ih!” (Lëshoni!), dhe kemi vazhduar  në drejtim të Fakultetit Juridik, kurse masa vërsheu. Kështu vepruam edhe tek Fakulteti Juridik dhe tek Semaforat para “Këshillit Ekzekutiv”. Mirëpo  para “Bozhurit” komandën na e mori një grua biondinë rreth 25 vjeç. (Gjatë hetuesisë, kur ajo u angazhua të më identifikonte, mësova se quhej “Kllokoçi”, dhe ky fakt më dha “dorë” t’ua thosha hetuesve se “Masivizimin e Demonstratave dhe dhunën e kanë nxitur njerëzit nga radhët  tuaja!”). Së bashku me Tahirin dhe Arifin ishim në qoshin para hyrje në Komitetit Krahinor, nja 4- 5 metra nga plepi prej nga foli përmes megafonit, “musteçoku” (Hydajet Hyseni). Pas intervenimit dhe shpërndarjes së Demonstruesve, me Tahirin kemi shkuar në zyrën e tij dhe prej andej në Rektorat, ku e gjetëm Gazmend Zajmin dhe katër-pesë profesorë. Në një moment policia me dhunë i nxori studentet nga internatet dhe i drejtoi nga stacioni i treni dhe i autobusëve, e ku i arrinin i rrihnin tmerrësisht. Ishte pas orës 21 kur një studente u ndal nga një polic “specialc” mu në oborrin e Rektoratit dhe filloi ta qëllonte veçanërisht  në përmjet, për t’ia shkatërruar veshkat. Vajza piskaste në “kup të qiellit”. Mu duke se na zuri qielli dhe iu lëshova “specialcit”- “Pustite dete...!” (lëshoje fëmijën...!). Ai e la vajzën dhe e “Repetiti”(ia ngrehu qarkun e automatit). Në ata sekonda një milic shqiptar i thërriti: “Ne pucja, jer i ti bitćeš ubijen!” (Mos shti, se edhe ti do të vritesh!). Edhe milici shqiptar armës ia futi fishekun në gryk  vetëm në nja 5-6 metra  pas “specialcit” të Serbisë. Sigurt na e shpëtoi jetën, mua dhe studentes, të cilën e mora në krih dhe e futa në Rektorat. Nga ajo mësuam se ishte studente e kimisë se ishte ulqinake me emrin Shkurte. Kurse milici  shpëtimtar yni quhej Pllana dhe ishte nga viset e Vushtrrisë. Ky, këtu e disa orë u vu roje  para Rektoratit, deri sa na shpërndau nëpër shtëpitë tona me veturë të milicisë. E treta ”vepër  imja “inkriminuese” ishte:  Më 3  Prill 1981 Fadil Hoxha (tashti e di se foli sipas diktatit të “Byrosë Politike” të LKJ-së së 2 prillit të cilin e posedoj), përmes TVP-së iu drejtua shqiptarëve me atë “Fjalimin e tij shokant”, ku, midis të tjerash,  organizuesit  e demonstratave i quajti  Pleh”!?! Në atë mbrëmje isha kujdestar në Institutin Albanologjik pranë dy rojtarëve zyrtare. Meqë me Fadil Hoxhën shumë herë kishim biseduar për synimet që Kosova  duhet të nxirrej nga kthetrat e Serbisë aty rreth orës 22 e thirra në telefonin që ma kishte besuar  për “kontakt!”, disa vjet më parë. Sikur të ishte duke pritur ndonjë telefonatë, personalisht e kapi kufjen. Pasi dëgjoi prezantimin tim, ma preu shkurt: “Nesër në orën 11 me keni në “Hotelin e Deputetëve në Gërmi...!” Shkova  dhe më priti në një sallë të vogël, vetëm  sy më sy. Pa ndonjë hyrje kurtuazie, i  thash: “Baca Fadil ta dëgjova Fjalën Tuaj, mbrëmë, dhe jo vetëm unë por shumëkush ka mbetur i shtanguar, çka pate, pse ashtu?!?”  Sikur ta kishte pasur përgjigjen të gatshme: “Ti dije dhe tregoju të tjerëve se për ta fituar atë që ju po e kërkoni në rrugë me shkonin 50.000 veta, kurse unë Kosovën kam me e nxjerrë pa asnjë gjak...!” Unë, pa e vu në faqe: “Bacë a mund ta nxjerrim Kosovën me 500.000 veta?!?” I erdhi e papritur, mori vetën dhe shtoi: ”Unë kam luftua për lirinë dhe Kosovën kam me e nxjerrë sipas Rezolutës së Bujanit i gjallë a i vdekur...!”

[122]  Nisur nga përvoja ime, e di saktësisht se procedura hetimore ndaj Arif Demollit ka zgjatur së paku mbi një muaj, deri sa hetuesi, Sabah Muhagjeri, i ka përmbledhur  të dhënat që i ka pranuar “i pandehuri”, në një “deklaratë”  të datuar më “21 .IX.1981”.  Për përmbajtjen e  kësaj deklarate dritëploti Ismail Dumoshi kishte pasur  informacion të plota shumë para së Sabahu M. të ma lexonte mua. Shumë herë më ka folur për këtë fakt i cili e kishte frikësuar shumë dhe kishte pyetur vetën: “...Së si do të përballesha me ato fakte...!?!”. Vërtet, po të krahasohet lista e literaturës dhe e materialeve të konfiskuara në shtëpinë time më 4 Gusht 1981 me atë që kishte deklaruar Arif Demolli shihet se hetuesitë e SSHJ-së e kanë pasur listën e librave “të ndaluara”, të ditarëve me përmbajtje “armiqësore”, të dosjeve me materiale “kundër vëllazërim-bashkimit”, të dorëshkrimeve shkencore me frymë “romantike” e poetike “patriotike”- atijugosllave, të cilat me saktësi  i kishte kujtuar nxënësi im që më kishte “adhuruar”!?! (pas burgut, në pyetjen time: ”A të rrehen keq që i shpalose të gjitha ato marri...?!?” Arifi, mu përgjigj: “Jo, vetëm një shpullë ma ka dhënë Lorenci, po ti e di Profesor se unë nuk di të Rrej..!?!” Qartë e saktësisht, ajo që kishte Arif Demolli, hetimet  ndaj meje kanë mundur të zgjasin jo një vit sa zgjatën faktikisht, jo të më sillnin buzë paralizës (siç ndodhi), por meqë ndiqja një rrugë që të mos pranoja asgjë për shokët, hetuesve mund t’u mbetja në dorë fare, siç ndodhi me bashkëvendësit tim, mësuesin Hero i kombit, Fazli Greiçevci,  më 17 Gusht 1964, e kisha dhënë betimin për lirinë dhe ribashkimin e kombit shqiptar që më 10 Shtator 1960 (nxënës i vitit të dytë të Shkollës bujqësore në Prishtinë). Për atë se çka kishte pranuar Arifi Shih, tri faqet e Deklaratës së tij të 21.IX.1981, që gjendet në Dosjen: Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”, e që duhet të jetë edhe në Dosjen e Arif Demollit, në Arkivi Historik i Prishtinës. Ndërkaq në deklaratën time të nënshkruar më 23.IX.1981, kur është puna lidhur me “armiqësinë” e Arifi Demollit, citoj tekstualisht: ”...Ndërkohë nau ka afuar Arif Demolli, gazetar i “Fjalës”, i cili ka qëndruar me ne nja 15 minuta e pastaj ka intervenua milicia dhe ka hjedhë gazna lotsjellës për ti shpërndarë demonstratntët. Prej këtij  momenti më Arifin  nuk e kam pa më dhe as nuk di se kah ka shkuar, kurse unë e Tahiri kemi shkuar në zyrën e Tahirit”. Vetëm kaq!!!. Emrit të Tahirit  nuk mund t’i ikja për faktin se kisha informata të sakta nga i burgosuri Osman Visoka (Një burrë që nuk i gjendet shok i gjallë në Llap e më gjerë) se atë e kishte përmendur Arif Demolli më së njëherë. Shih dokumentin e plotë:  Vazhdim i procesverbalit të dt. 8. 08 1981”(i gjykatësit hetues formal, Vahid Halili),  vazhduar e hartuar nga shefi i ekipit hetues, Sabah Muhagjeri, më 23.IX.1981, fq.1, në Dosjen: Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 “Arkivi Historik i Prishtinës” .

[123]  Më 4 gusht 1982 i bëja një vit burg pa plotfuqishmërinë e Vendimit pas ankesës në Gjyqin e Qarkut  në Prishtinë. Për këtë kohë, në bazë të ligjeve në fuqi, isha i “paraburgosur” e nën regjim të hetuesisë. Me datën 4 Gusht 1982, pas “kafjallit”, gardiani ma solli vendimin e Gjyqit të Qarkut i cili ma kishte zbritur dënimin nga dy në një vit, kurse pas pak ma solli vendimin e Institutit Albanologjik, për “ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, vendim ky kryekreje i kundërligjshëm, për faktin se në bazë  të ligjeve në fuqi, është dashur të isha jashtë Institutit së paku gjashtë muaj me dënim të plotfuqishëm, aq më parë  pasi që familja ime e kishte marrë “rrogën” time, sipas ligjeve n’ fuqi në lartësi  të 70%-it “Bashkëpunëtorit Shkencor”, për kohën deri në plotëfuqizimin e vendimit të gjyqit, që realisht duhej të ishte dita që do ta nënshkruaja vendimin e Gjyqit të Shkallës së Dytë. Para drekës së 4 Gushtit 1982, gardiani ma solli vendimin e Gjyqit të Qarkut dhe vetëm rreth 15 minutave nga nënshkrimi, me “liruan”. Pra tri vendime brenda  rreth dy orëve të  së njëjtës datë!?!.

[124] Nga shokët e “Çetës”, deri tashti vetëm Tahir Abdyli më kishte vizituar. Me Ismalin i kaluam së bashku  mbi gjashtë orë. Gjatë kësaj kohe i lexoi të gjitha dokumentet që i posedoja nga hetuesia, prokuroria, gjykimi. Memorien që ia kisha dërguar më 27 janar 1982 “Kryesisë së  RSFJ” (36 faqe A-4)  dhe ankesën drejtuar “Gjykatës  së Qarkut të Prishtinës”, më 25 Mars 1982 (38 faqe A-4) dhe ankesat  e  shkruara me dorën ime, drejtuar instancave gjyqësore e  politike. Kur i lexoi, një herë heshti me krenari dhe ma zgjati dorën:  “Lum ti për vete! Tash e kam të qartë pse të gjykuan me “Dyer të mbylla”!?! Ti, Çerqiz, paske lë dëshmi për historinë e përpjekjeve tona kombëtare më shumë se akëcila organizatë institucion i shkencës tek ne... !?!” Para se të ngitej, e kërkoi një fashikull, i futi dokumentet dhe tha: ”Me duhen për t’i konsultuar me juristë se sa po shoh t’i nuk e ke humbur vendin e punës...!” Në fakt, siç u pa më vonë, dokumentet i mori për t’ua  dëshmuar shokëve atë që ua kishte besuar  në kohën sa isha nën hetime se “Çerqizi nuk po thyhej…!”   

[125] Ankesës i pata pri me “Promemorin” e 27 Janarit 1982 adresuar Kryesisë së RSFJ, Beograd, ku pasqyroja pozitën e pabarabartë të shqiptarëve me popujt e tjerë në Jugosllavi. Ky ishte qëllimi im, e jo ulja e dënimit. Shih më gjerësisht dokumentin - Kryesisë së  RSFJ” (36 faqe A-4)   në Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[126]  Ky është teksiti i fjalës sime Përfundimtare para trupit gjykues në kryesin e  Haki Leci,  porotë një serb e një shqiptar, prokurore Burbuqe Hatipi dhe gardianit llapjan me mbiemrin “Hoxha”, më 9 Nëntor 1981, e që u bë shkas që edhe pas mbajtjes për një orë në një dhomë të veçantë, vetëm me gardianin, shpallja e Aktgjykimit të  shtyhet për 12 Nëntor, i cili do të më dorëzohet, pas shumë peripecive  në pasdreken e 24 marsit  1982.  

[127] Këtë “Ankesë” prej 38 faqeve  e përfundova me këtë shënim: “Në vend të postscriptumit, Dy fjalë për ata që e lexojnë: Këtë dokument e shkrova në kushte mjaft të rënda të jetës. Dhoma e ngushtë gjashtëkrevatshe, e errësuar fort, E shkruajta duke qëndruar në këmbë, i mbështetur për krevat. Nga lodhja, këmbët më dridhen, sytë më errësohen. Të burgosurit me hallet e veta, lëvizin si krimba në varrë. Dora me dhemb, sepse fyshti i lapsit  kimik mi ka pre misht deri në koc. Megjithatë, dashuria për ta realizuar një të drejt njerëzore të humbur jo me fajin tim - Lirinë, më detyron t’i përballojë edhe vuajtjes shpirtërore dhe dhimbjeve fizike. E lexova dokumentin dhe, paska shumë gabime. Megjithatë, kuptohet. Nuk kam mundësi që ta përshkruaj. Ndjesë, Meti” . Shih më gjerësisht në Dosja Muhamet Pirraku, ”P. 405/81 Arkivi Historik i Prishtinës”.

[128] Lexues i respektuar para se ta përfundoja këtë fjali, u “ngalëta” dhe mu dashtë të pushoj për ta shënuar këtë konstatim. Nënë Sadija kishte shumë djem - të gjithë të burgosurit për Lirinë që e aspironin gjeneratat e dy djemve të saj Ismailit e Osmanit. Pas dollisë ngremë darkë (një përpeq të gatuar nga mësuesja Shqipe) dhe për rreth tri orë e informuam njëri tjetrin për atë që na interesonte. Me këtë rast Ismaili më informoi se gjatë hetimeve ndaj meje vazhdimisht ishte informuar për procedurën se ishte frikësuar për jetën time, se. Dokumentet e mia i kishte konsultuar me një avokat, i cili ia kishte shënuar nenet dhe pikat e “Ligjit Penal” dhe të “Ligjit për marrë­dhëniet në Punë”, të cilat pasqyronin faktet se meqë Vendimin e Shkallës së Dytë  të cilin e kisha pranuar në ditën që më kishin “liruar”, nuk e kisha humbur vendin e punës. Më udhëzoj të kërkoja nga Instituti Albanologjik, të më kthente në vendin e punës – “bashkëpunëtor shkencor”, si dhe të shkoja në Komitetin Komunal të KLK-së, të kërkoja pranim te Ekrem Arifi e te  Azem Vllasi, t’i përmbahesha rrugës së dëshmuar në hetuesi, në prememorje dhe në ankesa. Më tha se  As unë nuk do të rri duarkryq!

[129] Ishte mesi i natës, kur gardiani e futi Muhametin në dhomën 22 të Burgut të Qarkut në Prishtinë. Prej datës 9 nëntor nuk më kishin ruajtur. Nuk kisha dyshek, kisha një të tretën e dyshekut 70x70 cm,  dhe një gjysmë batanije të vjetër. Kisha shëndet të lig, as munda të ngritëm. Dhoma plotësisht e errësuar, vetëm drita nga “karaulla” e milicit sa e ndriçonte. Muhameti as mund të më shihte dhe as më njohu kur i fola.

Sipas fjalëve të tij, pas burgut, gjendja ime si “Fantazmë” e theu shpirtërisht,  madje i la pasoja edhe në ekuilibrin psikik...!” dhe, pa kujdesin tim sot nuk do ta kishim  Profesor  Tërnavën as të tillë çfarë e kemi sot.  

[130] Nga gardianët dhe të burgosurit më së një  herë kam dëgjuar se gjatë hetuesisë në lokalet e SSH të Prishtinës, nga të burgosurit e “Pranverës Shqiptare ‘81” më së shumti, me pasoja për shëndetin përjetësisht është torturuar Hysen Gega (nuk e njoh) pas tij Pirraku e i treti, por shumë më shumë se Pirraku, Halil Alidema (i arrestuat nja tri Ditë para Tërnavës), i cili për faktin se ka mundur të rezistonte, i janë thyer edhe brinjët.

[131] Këtë dokument në shenjë respekti për Ismail Dumosin e ruaj edhe sot.

[132] Ismil Dumoshi ma besoi dokumentin në dy faqe: “Traktat Kundër Tradhtisë” të LRSHJ-së  me stemën  e republikës  me shqipen dykrenore në fillim, e të pa datuar, të cilin për nder të tij e ruaj edhe sot.

[133]  Pas burgut nuk pranova të jetoja me ndihma qoftë të vëllezërve qoftë të miqve. Një dashamir i vëllait tim Zejnullahut, Izet Muçaku nga Nekofci i Drenasit e  kishte një firmë muratori në Slloveni. Ai më regjistroi si punëtor të firmës dhe më “siguroi “ në Entin për Sigurim, në rast se “lëndohem”. I bleva “Aletet e muratorit” (mistri, çekiq, Lavjers, libellë etj). Kështu deri nga mesi i  dhjetorit 1983, kur u ktheva në Institutin Albanologjik jo sipas ligjit, por me konkurs me një gradë shkencore më të ultë se sa i kisha nga më 4 Gusht 1981 dhe për disa vjet pengesa për botim nga idiotizmi komunist jugosllav brenda. Shih, pasthënien në librin: Salih Gjukë Dukagjinim Shkrolaria e  Shqipes. Pjesa e Parë Teorike dhe Praktike, Prishtinë, 1991, 185-186. 

[134]  Ramadanin e kisha shok besnik nga shkolla e mesme. Ndonëse në skamje, kishte dëshirë të më ndihmonte, por nuk ia pranoja ndihmat. Pasi nuk kishte frikë nga prania ime, pasoi kompromisi: Më mori mjeshtër me një kusht timin: “Të besonte planifikimin dhe realizimin e dritareve në katin e tretë” që dominonte me pamje mbi të gjitha oborret e serbëve të Sefalisë!”  As në ngritjen e shtëpisë sime  më 1974 (pa kulm deri më 2005) nuk  kam punuar më me vullnet.

[135]  Pasoi një përqafim memec që nuk mund të përshkruhet.”Llogari” Ramadan Zeka (agronom), që  dinte për lidhjet tona të hershme ishte shtangur para asaj që kishte ndodhur para syve të tij.

[136] I zoti i Kullës, Ramadani në shenjë falënderimi për mjeshtërinë që po bëja, i tha: Ismailit, “...ky mjeshtri me këto frëngji do të më qetë  në bela me shkijet...!”

[137] Duke e përcjellë më tha:  “Çerçiz, nesër në  orën  13 duhet të vini në kafenenë te ish ura e drurit mbi Vellushë. Një shok yni po ka dëshirë  të të  takojë...!” nuk e pyeta “Kush është, meqë e mora me mend se duhet të jetë veprimtarë i ilegales. Shkova me kohë Ismaili me “shokun” i gjeta në kafene. Edhe unë morra një pije. Ismaili me besim të plotë ma tha emrin dhe mbiemrin  e “shokut që kishte kërkuar të më takonte!”- Hasim Dërmaku. Nuk e lash të fliste më. Mbiemrin “Dërmaku përnjëherë e lidha me LRSHJ-në”. Pa ndonjë pritje të gjatë (meqë isha i pa kohë), ma shqiptuan misionin: “Lëvizja ka filluar një aksion t’i ndihmojë të burgosurit politikë me mundësitë që do të ketë...!” Unë nuk kisha nevojë për ndihmë, sepse mëditja ime e mjeshtrit ishte 20 DM. U thash: “Nuk po jua sabotoj aksionin e qëlluar, sepse midis nesh ka që kanë nevojë edhe për një lek. Kësaj radhe po i marrë këto 100 DM, si dëshmi se jam me Juve, pore më kurrë, sa i përket ndihmës, mos mendoni për mua...!” Ismail Dumoshi kishte tentuar së paku dy herë të më ofronte ndihmë, por nuk ia merrja, i vendosur të mos pranoja ndihmë as prej vëllezërve. Tashti Ismalili ma kishte përgatitur një kurth: Kishte nda nga rroga e tij së paku aq sa i kisha ndarë unë në dhjetorin e viti 1968, nuk guxoi të thoshte se “Po ta kthejë borxhin!” e ditëve të vështira, por, si vëllai i madh të voglit më urdhëroi: “Këto po ti japi hua, nëse ndonjëherë ti lyp djali im, ktheja...!” Ma zuri shtegun.

[138] Edhe këtë dokument e ruaj  për nder të Ismail Dumoshit, i cili në ditën që ma besoi e bëra të qante e të shante për fatin tim. Sapo ma ofroi komunikatën i thash: Ish-Bashkëpunëtorët në Institutin Albanologjik po më mbajnë në distancë si bashkëpunëtor i Sigurimit, pse ti nuk po vetdijësohesh...?!? Ismaili shante me ashk dhe ua shau nënë e babë, veçanërisht një ish sekretari të parisë e sekretar shkencor, vëllain e të të cilit e njihte si udbash. Ky koleg, i mbështetur  në burime të sigurta, e mbolli këtë insinuatë me pasoja të mëdha për aktivitetin tim shkencor deri kur u shthur Jugosllavia. Realisht, vetëm dy kolegë nuk u luhatën: Ibrahim Rugova dhe Daut Bislimi të cilët edhe ishin forcat legale që krijuan rrethana politike për të më kthyer në Institut.

[139]  Qe të më mbante nën kujdes të vazhdueshme, Ismaili kërkonte t’ia besoja dorëshkrimet që t’i lexonte. Qëllimin nuk e kishte të më censuronte, por vetëm të më kurajonte për punë, njësoj si edhe Tahir Abdyli i cili për interesa të jetës së kombit ishte gati të futej në zjarr, si askush tjetër. Këtu ta përmendi vetëm një studim timin të vitit 1975, “Vetëvndisja e Kosovës në dritën e lëvizjes antifashiste”, të cilin e përktheva serbisht, për ta marrë në mbrojtje “Rezolutën e KANÇ”, të aprovuar më 2 Janar 1944, në Bujan të Malësisë së Gjakovës (sot brenda kufirit të Shqipërisë Londineze. Këso kohe mbi bazë të “Memorandumit të Akademisë Serbe”,  Beograd do të organizohet një “tribunë” politike-shkencore për ta zhvleftësuar  përfundimisht “Rezolutën e Bujanit” e cila i garantonte Kosovës të drejtën në Vetëvendosjes pas fitores mbi “Okupatorin nazifashist gjerman!” Në këtë tribunë ishin ftuar edhe politikanë e historianë të Kosovës. Midis të të cilëve  Tahir Abdylin, (drejtorin e Institutit të Historisë, i cili pati guxim ta lexonte punimin tim, të cilin e kishte vlerësuar lartë i ndrituri Ismail Dumoshi. Sapo Tahiri e lexoi, kryesuesi, sa më kujtohet nga TV-ja, Billangjiq,  thënë qartë, e ndërpreu “tribunën”, me konstatimin që mund të përmblidhet në një fjali: “Bujan osteje Bujan...!”(Bujani mbetet Bujan...!). Në mbrëmjen e së nesërmes, Ismaili më ftoi për kafe në “Aërdita” dhe më priti “si hero!”, qartë për të më inkurajuar të vazhdoja: “Si argat anonim kombit...!”, siç veproi vetë një jetë! Ky studim do të botohet i plotë dhe pa asnjë ndërhyrje pas tetë vjetësh, në “Gjurmime Albanologjike- SSHH, 21, 1991”, Prishtinë. 1993, fq. 7-39.

[140] Nga ndeja e fundit imja me Ismail Dumoshin, Gërmi, 2 Maj 1988.

[141] Pa trashëgimin time shkrimore autentike, kush do që të Shkruaj për Ismail Dumoshin, do të ndriçojë imazhe eseistike për të bëmat faktike ose relative të tija, pa mundur të mbështesë në fakte asgjë përpos dëftesave të shkollimit e dokumenteve të punësimit, siç kam konstatuar në fillim të Këtij ndriçimi.

powered by Beepworld