E kaluara jonë historike nuk mund të zhbëhet

MËSIMET QË DUHET NXJERRË

NGA 100 VJETËT

E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

 

Shkruan: Dr.Jakup Krasniqi ( * )

 

  

 

 

 

”Serbia duhet të zgjedhë BE-në ose Kosovën”!

 

NJË SINTAGMË E GABUAR

 

Shkruan: Dr.Jakup Krasniqi ( * )

 

 

 

 

Në fokus të historianit Jakup Krasniqi

 

Virtyti më i mirë në politikë është integriteti

 

SKËNDERBEU DHE ADEM JASHARI

 

 

Shkruan: Dr. Jakup Krasniqi ( * )

 

 

     *  *  *

     E kaluara jonë, së paku nga mesjeta e deri në ditët e sotme, panteonit shqiptar të vlerave i ka dhënë personalitete të mëdha, të cilat me integritetin e përkushtimin e tyre kanë dhënë shembuj të shumtë që duhet t’i përkujtomë shpeshherë, me qëllimin më përmbajtësor dhe fisnik: për t’i edukuar gjeneratat e reja me thesarin e trashëgimisë shpirtërore, historike e kulturore. Literatura perëndimore, mendimtarë dhe filozofë të shumtë të shquar të kësaj bote, kanë konstatuar se vetëm njerëzit me integritet, të përkushtueshëm e konsekuentë janë vizionarë dhe arrijnë të bëjnë hope të rëndësishme shoqërore.  Së këndejmi, edhe në këtë shkrim do të ndalem tek dy personalitete nga më të rëndësishmet dhe të veçantët e historisë sonë kombëtare siç janë: Gjergj Kastriotit - Skënderbeu dhe Adem Jashari - Komandantin Legjendar i UÇK’së. Këto dy personalitete, duke qenë se janë personalitetet më të pakontestuara, i pari i periudhës së Rilindjes Europiane dhe tjetri i periudhës më të re, të cilët në historinë e shqiptarëve lanë gjurmë të thella për t’u kujtuar me pietet sa herë që e do rasti. Adem Jashari bëri kthesën më të madhe, duke i çliruar në fund të shekullit XX më se 11.000 km2. Në fund të shekullit XX mrekulli të tilla janë të rralla. Këto personalitete nuk kanë ngjashmëri as në kohë, as në hapësirë, përveç ngjashmërisë të luftës për liri. Ndaj, sa i përket integritetit të veprimit, janë shembujt më unikë në historinë tonë shumëshekullore.

.

 

Gjergj Kastrioti -  Skënderbeu

 

     Edhe pse kanë kaluar pesë shekuj e gjysmë nga Epoka e Skënderbeut, veprimet e guximshme dhe strategjia gjeniale e heroit tonë, nga cilado anë që të shikohet, tregon qartë së kemi të bëjmë me një personalitet, i cili edhe sot rrezaton besim, përkushtim, konsekuencë dhe integritet! Epokë dhe personalitet që ndriçojnë rrugën tonë të integritetit njerëzor e kombëtar. Dhe kjo vlen sidomos për liderët që përfaqësojnë qytetarët tanë, të majtë apo të djathtë, pozitë apo opozitë, sepse në radhë të parë janë dhe mbrojnë interesat e atdheut. Të gjithë fjalorët e gjuhës (shqipe), deri te ai Oksfordit (enciklopedik, shqip tashmë), nuk flasin për integritetin e individit apo të liderit, por kryesisht për integritetin territorial, për tërësinë, për të tërën. Përgjithësisht, nuk është lehtë të jepet një përkufizim më i plotë për integritetin e liderit ose udhëheqësit. Filozofi Lajn MecFoll (Lynne McFall) e përkufizon mirë integritetin, kur thotë: “Një person me integritet është i gatshëm të vuajë pasojat e bindjeve të tija apo të saj, edhe kur kjo është e vështirë, domethënë kur pasojat nuk janë të pëlqyeshme”. Njeriu me integritet duhet ta ketë një vizion të menduar mirë, të planifikuar mirë, duhet ta këtë besimin, guximin dhe vendosmërinë e veprimit, duke i paraparë të gjitha shkallët e rrezikshmërisë. Njeriu me integritet, vizionit të tij i shkon deri në fund, edhe me kushtin që vizioni mund t’u mbetet brezave të ardhshëm për t’u finalizuar tërësisht. Nëse kemi parasysh këtë tip të integritetit, atëherë përzgjedhja e këtyre personaliteteve të mëdha të historisë sonë kombëtare nuk është e rastësishme. Sigurisht që këta nuk janë të vetmit, por janë më të vëçantët. E fillova më Skënderbeun, duke zgjedhur Gjergjin, për faktin se integriteti i tij është i veçantë, më i veçanti nga gjithë udhëheqësit e kohës (së tij), që me luftë të pakursyer i kundërshtuan pushtimet osmane në Evropë.

     Cila është e veçanta e Gjergj Kastriotit?

     Skënderbeu më se 20 vjet ishte edukuar dhe kishte luftuar në radhët e ushtrisë osmane. E njihte mirë organizimin e saj (më mirë se kushdo tjetër në Evropën e kohës), e njihte fuqinë e saj ushtarake, epërsinë e saj numerike, por këto fakte nuk qenë të mjaftueshme për të pranuar robërinë e popullit që i përkiste, për të pranuar robërinë si zgjidhje për atdheun e tij stërgjyshor. Rrjedhimisht, AI nuk mund të pranonte nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur, prandaj vendosi të luftonte për liri. Për ta arritur këtë paraprakisht bëri planin e veprimit, të cilin e realizoi me konsekuencë e përkushtim. Ajo që bëri Gjergji ynë kërkonte vizion, kërkonte guxim, kërkonte besim, kërkonte qëndrim dhe veprim me integritet. Po të ishte interesi personal, do të ngritej lehtësisht në shkallët e hierarkisë ushtarake të Perandorinë Osmane, siç edhe bënë shumë bashkombas të tij, të cilët (duhet pranuar këtë) janë pjesë e ndritshme e historisë së Perandorisë Osmane. Ajo ndritshmëri nuk i shërbeu ndritshmërisht atdheut të tyre - Shqipërisë. Integriteti shpesh e ka edhe shkallën tepër të lartë të rrezikshmërisë, por liderët vizionarë kjo nuk i bënë të heqin dorë nga integriteti i personalitetit që rrezaton nëpër vite. Në mënyrë të veçantë, kur me vizionin, me integritetin janë besimi por dhe drejtësia. Njerëzit me integritet nuk iu nënshtrohen asnjë forme të korrupsionit (për mua korrupsioni nuk është vetëm financiar). Të tillët nuk tundohen para asnjë lakmie, veç asaj të interesit kombëtar. Vetëm ata që nuk i tundon lakmia për interesa meskine, nuk iu nënshtrohen asnjë forme të korrupsionit, ndaj kanë mundësinë për ta ruajtur integritetin e personalitetit të tyre. Kam bindjen e thellë dhe besimin e plotë se Skënderbeu ishte personalitet me integritet të pacenueshëm gjatë gjithë jetës, e cila edhe e shënoi Epokën e Tij, Epokën Skenderbegiane.

 

Adem Jashari

 

     Komandanti Legjendar i UÇK’së, lindur e rritur, formuar e vepruar në rrethana krejtësisht të tjera, është personalitet krejt ndryshe nga Skënderbeu. Një antipod i çuditshëm, por që të përbashkët kanë (a) guximin për të luftuar pushtuesit, fuqitë e të cilëve i njihnin mirë dhe (b) integritetin njerëzor për të hapur shtigje lirie për popullin e tyre. Nëse Skënderbeu është udhëhequr nga shembulli i princërve feudalë të Arbërisë, të Epirit e të Maqedonisë, Adem Jashari është udhëhequr nga vizioni i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, e cila asnjëherë nuk i kishte ndalur përpjekjet për çlirim. Edhe Adem Jashari sikurse Skënderbeu e njihte fuqinë e armikut shekullor, por kishte vendosur ta vazhdonte luftën për liri, aty ku e kishin lënë paraardhësit e tij pas Luftës së Dytë Botërore. Adem Jashari, si dhe Skënderbeu, është përgatitur gjatë për luftën çlirimtare. Kjo përgatitje, sipas shumë dëshmive ka filluar në majin e  vitit 1981, kur Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën dhe Ademin, te varret e Tahir e Nebih Mehës, të vrarë nga pushteti i huaj më 13 maj 1981, u betuan se do ta vazhdojnë luftën për liri deri në fitore. Shqiptarët në vitet ’90, krahas vizionit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që do të përfaqësohet më denjësisht nga Adem Jashari, kishin edhe një vizion tjetër, por koha tregoi se vizioni që i hapi shtigjet e lirisë e të pavarësisë, vizioni që Kosovën e bëri Republikë të pavarur dhe sovrane, qe vizioni i luftës çlirimtare, vizioni i Adem Legjendarit. Në vitet e ’90’ta, armiku me të gjithë mekanizmat e tij vrastarë siç ishin politika destruktive gjenocidale, policia që nuk e fshihte dot mllefin famkeq udbist, ushtria e stërarmatosur, gjyqësia e dirigjuar dhe mediet e frymëzuara dhe të mbështetura nga Akademia dhe Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe në unison përhapnin pasiguri, frikë e tmerr në tërë hapësirën shqiptare të ish’RSFJ’së (nga 1992 RFJ, njëfarë Serbosllavie kjo).. Edhe pjesa më e madhe e alternativës demokratike shqiptare i ndihmonte në përhapjen e frikës e tmerrit në Kosovë.

     Në një atmosferë të tillë, dalja me formacion të armatosur ishte më shumë se vizion, më shumë se guxim, më shumë së vendosmëri. Ishte besim i patundur në fitore. Besim të tillë largpamës mund të kenë vetëm liderët me integritet që kanë guximin t’i paraprijnë rrezikut, por duke mos e humbur për asnjë moment besimin në fitoren e popullit të vet. Ky është integriteti që i duhet çdo lideri, i cili denjon të jetë përfaqësues i popullit. Stephen L.Carter (në librin e tij “Integriteti”) thotë se: “...nuk ka integritet pa rrezik humbjeje”, ndërsa Macfoll: “Atje ku nuk ka mundësi që integriteti të humbasë, ai nuk mund të ekzistojë”. Bashkluftëtaret që vazhduan luftën, edhe pas rënies së Komandantit Legjendar dhe familjes së tij, treguan integritet e vendosmëri sepse patën besim, qenë vetvetja dhe qenë konsekuentë në fitore. Për fat të keq, ky integritet nuk do të vazhdojë gjatë, sidomos, pas Luftës Çlirimtare. E them me bindje këtë, sepse njerëzit me integritet nuk pranojnë asnjë formë të korrupsionit, as politik, as moral, financiar apo çfarëdoqoftë. Shumë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit pas Luftës Çlirimtare nuk u bënë ballë tundimeve korruptive. Ata që u tundën para lakmisë, e cila shpie pashmangshëm në humnerën e korrupsionit, e humbën integritetin e dëshmuar në kohë lufte. Këtë e bëjnë ndonjëherë edhe duke përvetësuar, personalizuar e privatizuar gjithçka, madje dhe luftën çlirimtare. Natyrisht, qëndrimi vertikalisht, ka çmim, të cilin s’mund ta “paguajnë” të gjithë luftëtarët. Këto fenomene të shëmtuara, në kohën tonë, e veçmas në shoqëritë në tranzicion, kanë marrë përmasa shqetësuese.

     Është tejet vështirë që të gjithë përfaqësuesit e popullit, të paktën ata që numërohen në gishtërinjtë e dy apo të një dore të jenë në integritetin e pesonaliteteve që mora në shqyrtim, por, përfaqësuesit e popullit e kanë për obligim të marrin të paktën diçka nga integriteti i tyre. Gazeta “The New York Times” e 29 shtatorit 1972, në kryeartikullin “Ndershmëria në Uashington”, shkruante: “Virtyti më i mirë në politikë është integriteti”. Të dy figurat, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Adem Jashari, përveç shumë anëve historike të ndriçuara tashmë, veçohen edhe për integritetin e veçantë me të cilin duhet të udhëhiqen liderët dhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Sigurisht se nuk do t’i veçonim këto personalitete sikur në kohën e tyre të punonin (po qe se shprehemi me terminologjinë e sotme) ad hoc, me telekomandë, me kalkulator në xhep apo me moral të dyfishtë, dukuri këto të përhapura gjithandej. E sotmja, koha jonë, kërkon vlera të tjera integriteti, përgjegjësie, përkushtimi e konsekuence për liderët përfaqësues. Kërkon personalitet me integritet që i përgjigjet dhe shenjon kohën.

 

Sikur Epoka e Skënderbeut dhe Epoka e Adem Jasharit.

 

Prishtinë, 24. 11. 2011

 

* ) Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

A DUHET NDRYSHUAR DHE A MUND TË RIBËHET HISTORIA?!

SA JEMI PËRGATITUR PËR KËTË?

 

 

Shkruan: Dr. Jakup Krasniqi ( * )

 

 

     Kohëve të fundit po flitet me të madhe ku për rishkrimin e ku ndryshimin e historisë së shqiptarëve! Përse? Se paskemi disa fjalë të pakëndshme, të cilat nuk besoj se janë më të rënda sesa ishte sundimi shumëshekullor, jeta nën këmbën ushtarake osmane, kur popullit tonë i mohoheshin të gjitha vlerat dalluese kombëtare. Ndërsa, në fund, edhe tokat tona kombëtare i dhanë në ankand publik për t’u ndarë mes shovinistëve të Ballkanit. Çuditërisht këtë ves e patën ndjekur edhe disa shqiptarë që ishin edukuar në Stambollin osman, në krye me Esat Pashë Toptanin dhe ndonjë pasues të tij. Pasuesit e këtij soji vijnë gjithë deri në ditët tona, por ata nuk janë pjesë e historisë sonë të lavdishme. Të tjerët sado të “lavdishëm” e të “ditur” të kenë qenë, janë pjesë e historisë së perandorive a të shteteve që u kanë shërbyer. Të tillët, sado të mëdhenj të kenë qenë, sigurisht se kanë kontribuar që edhe sot shqiptarët të jetojnë në shtatë shtete të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Turqinë e sotme.

     Edhe sot, shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, vazhdojnë të jetojnë pa të drejtat elementare kombëtare dhe këtë realitet nuk mund ta mohojë askush. Historinë e popullt shqiptar e përbëjnë ata që u bënë digë e shteteve dhe e perandorive të huja që luftuan për liri, për nderin e vlerat e vendit të vet, për gjuhën dhe shtetin e vet. Edhe sot jemi plotësisht të bindur se historinë si nën sundimin osman, si nën atë serb, nuk mund ta ndryshojmë. Kudo kanë mbetur gjurmët e një jete të rëndë, e dëshmuar edhe nga trashëgimia materiale, e cila është tëpër e varfër dhe do të ishte një paradoks për t’iu falënderuar qytetërimit të imponuar. Më të varfërit e Evropës jemi pikërisht edhe sot. Përkundër kësaj që u tha, jemi të bindur se historinë nuk mund ta ndërrojmë, po aq sa jemi të bindur se të sotmen e të ardhmen duhet ta ndërtojmë në miqësi e partneritet me të gjitha vendet e popujt e rajonit dhe më gerë. Se si duhet ndërtuar e tashmja dhe e ardhmja, edhe me ata që deri dje ishim në konflikte e luftëra, e kemi një pasqyrë - Bashkimin Evropian me të gjitha vlerat e tij.

 

 

     Vetë mendjelehtësia e kërkesës së disa oponentëve qarqesh, apo klanesh, për ribërjen apo rishkrimin e historisë, më jep mundësinë për të kuptuar se këta njerëz, nuk e kanë të qartë as idenë si bëhet apo si shkruhet historia e shkollimit fillestar, pa folur pastaj për historinë mijëvjeçare të popullit shqiptar (që shpesh e lidhin vetëm me emrin shqip e shqiptar). Kjo mendjelehtësi për një çështje kaq serioze siç është shkrimi i historisë së popullit shqiptar, për njeriun normal është më shumë se shqetësuese. Shegertët e zanatçinjtë, grabitësit e matrapazët që shfrytëzojnë momentet e mjegulluara të tranzicionit (“ujku do mjegull”, thotë populli), jo vetëm që nuk kanë nivel për të bërë e shkruar histori shkencore, por ata nuk e kanë as kapacitetin e mjaftueshëm për të menduar shqip në mënyrë të pavarur.

     Thënë shkurt e shqip, ata shikimin e kanë larg historisë shkencore dhe, përtej gjeografisë së shqiptarëve, ndoshta më shumë se për çdo gjë tjetër e kanë për zemër peshën e xhepit të korruptuar. Para çdo xhepi të korruptuar shoh korruptimin moral dhe politik, që është shkalla më e rrezikshme e korrupsionit. Të paktën kështu ishte gjatë gjithë historisë sonë sa të dhimbshme, aq edhe të lavdishme. Me të tillë “historianë”, jo vetëm që nuk shkruhet historia shkencore, por nuk shkruhet as një përrallë didaktike e përsëritur shpesh pas darkave për t’i vërë në gjumë fëmijët, duke qenë se gjumi i rrit fëmijët, por jo edhe kombet të cilat gjumi i shpie në harresë. Kjo e fundit, në fakt ishte një porosi e urtë e të mençurit mjekërbardhë, Ismail Qemali e thënë në filmin “Nëntori i Dytë”. Shqiptarët nuk fjetën, veçse nuk qëndruan as pa gjumë, siç i porosiste Ismail Qemali.

     Sigurisht, unë nuk jam kundër shkrimit e rishkrimit të historisë, pasi shkenca nuk është dogmë se edhe dogmat sot e kanë të vështirë të mos iu nënshtrohen një reformimi të thellë e përmbajtësor. Aty ku mungon gatishmëria për reforma, shoqëria dehumanizohet, njerëzit mësohen të jetojnë me moralin e dyfishtë. Zhvillimet e fundit në një pjesë të Botës e konfirmon këtë. Shkenca që shndërrohet në dogmë, jo vetëm që nuk zhvillohet, por ajo dehumanizohet (kujtojmë socializmin shkencor të Marksit, si nisi e ku katandisi). Shkenca duhet të zhvillohet dhe ajo zhvillohet përditë, ajo evoluon, por dhe bëhet revolucionare sa herë bën zbulime të mëdha. Kështu ndodh edhe me ndryshimet e hopet e mëdha shoqërore. Këto hope i njeh historia e shoqërisë njerëzore. I njeh edhe historia e kombit tonë. Por, për t’u bërë arritje shkencore duhen investime paraprake në shumë segmente përgatitore, një plan hollësisht i detajuar, duke kulmuar me hartimin e Historisë së Popullit Shqiptar, ndonëse nuk mund të themi se jemi edhe pa histori të shkruar.

     Gjatë dy dekadave të fundit në hapësirën tonë kombëtare, nuk kam njohuri se kemi bërë ndonjë investim për përgatitjen e studiuesve për studime historike (veç përpjekjeve individuale), si edhe në krijimin e infrastrukturës paraprake planifikuese për shkencën e historisë. Në rrethana të tilla domodosmerisht shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje pa hidhërim, pa inate e xhelozi, por, edhe pa ndarjen e vlerave kombëtare në të majta e në të djathta. Historinë na e bëjnë të dinjitetshme si të majtët, ashtu edhe të djathtët sa herë që janë në shërbim të kombit e të atdheut. Prandaj janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje me dorë në zemër, si:

     1. A kemi në shoqërinë shqiptare e pastaj edhe në shkencën shqiptare frymën e mjaftueshme, ambientin e duhur, mbase edhe të domosdoshëm për debat shkencor? Nëse kemi parasysh faktin se në një sërë debatesh që janë zhvilluar deri tani edhe për disa çështje gati shteruese, siç ka qenë rasti me debatin për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, por edhe për kombin dhe gjuhën e njësuar shqipe, nuk mund të themi se kemi klimë të duhur për debat shkencor. Aty ku debati nuk zhvillohet me fuqinë e dëshmive e të fakteve, por me fuqinë e së mundshmes, me arrogancë e mohim ekstrem të çdo vlere, me etiketime ideologjike, atëherë shkenca fillimisht është shmangur dhe sigurisht aty nuk do të këtë frymë për zhvillim shkencor.

     2. A mund t’u besohet shkrimi i historisë së popullit shqiptar, asaj kategorie të “historianëve”, që historinë e popullit shqiptar e lidhin me emrin e mesjetës së vonë kur emrat alban, epirot dhe maqedon u zëvendësuan me emrin: shqip për gjuhën, shqiptar për popullin dhe Shqipëri për hapësirën gjeografike të iliro’albano’epiroto’maqedonëve dhe shqiptarëve? Duke mohuar parahistorinë e pellazgëve dhe historinë iliro’albane...?

     3. Gjatë këtyre 20 viteve të ndryshimeve demokratike, të tranzicionit diku më të shkurtër e diku më të gjatë, shoqëria shqiptare sa ka investuar për të përgatitur historianë të kohërave të ndryshme historike, për t’i hyrë një ndërmarrjeje të re për shkrimin e një historie të re të shqiptarëve? Ti hyjmë një ndërmarrjeje kaq të madhe siç është shkrimi i historisë sonë, në kohën kur shqiptarët nuk merren vesh as për një datë historike, është pothuajse punë Sizifi.

     4. Një pyetje tjetër që do sqarim është: A kemi një institut shkencor të nivelit kombëtar apo një elitë hierarkike të shkencëtarëve që do të mund t’iu besohet një ndërmarrje e tillë, kur as tekstet e historive për shkollat fillore nuki kemi të njësuara?!

     5. Kush duhet ta udhëheqë këtë ndërmarrje shkencore? Sa mund ta udhëheqin këtë ndërmarrje njerëzit që pozitat drejtuese në institucione shkencore i kanë nga politika e jo nga fusha akademike e shkencore?

     6. A ka ndonjë ekip shkenctarësh akademikë që kanë përgatitur projekte për shkrimin e historisë? Nëse po, të cilave profile janë dhe cili është kontributi i tyre në shkencën e historisë? Dhe,

     7. Kush mund të garantojë se projekti i ri me ekipin e ri, do t’i kapërcejë kriteret shkencore të Historisë së Popullit Shqiptar që kemi në dispozicion? Për të përfunduar te një çështje krejt konkrete: Kush janë emrat që mund ta bëjnë këtë ndërmarrje kolosale dhe aspak të lehtë? Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, nuk kam parë e as dëgjuar emra të përveçëm të historianëve të rinj që mund të përfundojnë një vepër të tillë, si po flitet më aq lehtësi. A kemi ndërtuar kategorinë e historianëve shkencëtarë që do t’ia kalonin nivelit të historianëve të brezit të Aleks Budës me shokë? Kjo punë do matur shumë. “Mate shtatë herë e preje një herë” thotë populli.

     Unë guxoj të dyshoj se kemi kapacitete intelektuale, shkencore dhe profesionale me përgjegjësi për t’iu shmangur ndërhyrjeve politike a ideologjike të kohës për të mos thënë: Çka mendojnë krerët qeveritarë në Tiranë, Prishtinë a Tetovë e të mos përmendim Brukselin, Ankaranë apo Uashingtonin, apo çka mendojnë ambasadorët e këtyre vendeve në kryeqytetet tona. Me këtë frymë nuk bëhet asnjë shkencë e aq më pak Historia e Popullit Shqiptar.

     Për të shkruar një Histori të Re të Popullit Shqiptar, edhe pse unë mendoj se e kemi një histori të mirë, duhet ta kemi të një niveli tjetër guximin intelektual, shkencor e profesional. Duhet të kishim investuar tashmë në krijimin e shkencëtarëve të rinj, gjë që nuk e kemi bërë as hapin më të vogël. Përkundrazi, gjatë këtyre viteve kemi lejuar një degradim të tmerrshëm në këtë drejtim. Po e përmendi një fakt: “Ami 5 000 euro, - thotë një ‘historian’, - prindin ta bëj më patriot se Hasan Prishtinën”, anipse ai ka mundur të jetë një i humbur. E kemi këtë gjendje se për dekada kemi investuar tepër pak për arsimin, kulturën e shkencën përgjithësisht.

     Historiografia shqiptare ka një histori shekullore dhe nisi me Marin Barletin e Frang Bardhin, për të ardhur këtu ku jemi. Ndaj duhet shfrytëzuar kontributi i secilit dhënë nëpër kohë të ndryshme për të shenjtën historiografi shqiptare. Unë e njoh dhe e respektoj kontributin e njerëzve të dijes edhe atëherë kur mund edhe të mos pajtohem për shumëçka. Thuhet se edhe në librin më të keq mund të gjesh gjëra të mira, por vetëm në “librat” e pashkruara s’gjen dot gjë!

 

Prishtinë, 21. 11. 2011

 

* ) Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

 

DIKTATURA DHE SERVILIZMI

 

 

Shkruan: Dr. Jakup Krasniqi ( * )

 

 

Servilët janë “farka” e prodhimit

të diktatorëve e të diktaturave

 

     Biografi i njohur i shumë personaliteteve historike europiane, shkrimtari më i lexuar i viteve ’30 të shekullit XX, Stefan Cvajg (Stefan Zveig), në librin “Maria Antuaneta” shkruan: “Populli francez... shumë kohë është përkulur me servilizëm, duke shpresuar për kohë më të mira; për secilin Luigj ka valëvitur me brohori flamujt; u ka derdhur me dorë në zemër të dhjeta e djersë feudalëve dhe Kishës; por sa më shumë përulej aq më e rëndë i bëhej shtypja, aq më dërrmuese bëheshin taksat”. Sigurisht, kjo që thotë Cvajgu, për popullin francez në kohën e sundimit të mbretërëve diktatorë, në kohë e periudha të ndryshme e kanë përjetuar të gjithë popujt. Mbase, edhe në çdo kohë është përsëritur dhe vazhdon të përsëritet servilizmi, që shkakton mjerim dhe tragjedi për popuj dhe fatkeqësi për diktatorët, të cilëve mund të mos u dihet as varri, siç ndodhi këto ditë me Kolonel Gadafin. Secili popull në historinë e tij e ka përjetuar servilizmin me të cilin ka ushqyer mbretër, perandorë dhe diktatorë të vjetër e të rinj. Këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar asnjë popull as dje, madje as sot. Natyrisht, në mijëvjeçarin tonë ka marrë trajtë e forma të reja.

 

 

 

 

     Disi, çuditërisht, po ky Cvajg më shtyri të merrem me fenomenin e servilizmit, njëkohësisht edhe me fenomenin e diktatorëve. Shfletova, ndër të tjera, edhe fjalorin politik, edhe atë enciklopedik të Oksfordit (tashmë edhe në gjuhën shqipe) për t’u konsultuar lidhur me idenë që po më preokuponte tash sa kohë lidhur me këto fenomene. Në fakt, gjeta diçka për diktaturën e diktatorin, ndonëse shpjegimi ishte shumë sipërfaqësor, ndërsa për servilizmin nuk e gjeta asnjë shpjegim. Në këtë situatë më lindi vetvetiu pytja:

·        atëherë, si lindin diktatorët?

     Nëse ata lindin të gjithëpushtetshëm, atëherë ata qenkan dhuratë e Zotit të gjithëfuqishëm dhe si të tillë duhen “respektuar” dhe duhet t’iu “nënshtrohemi” me “përultësi” vullnetit të tyre. Por, jo, sepse zhvillimet historike, si në kohë të vjetra, po ashtu edhe në kohën tonë, tregojnë se diktatorët nuk janë të gjithëfuqishëm as “vullnet” i Zotit në Tokë, por kultivuesit e diktatorëve janë njerëzit që i rrethojnë dhe këtë e bëjnë për interesat e tyre meskine. Pra, servilët janë “farka” e prodhimit të diktatorëve e të diktaturave. Pa puthadorët Bota do të mbetej pa diktatorë. Këtu ka diçka që është më se interesante. Si  demokracia, ashtu edhe diktatura, vijnë që nga koha antike dhe vetëm si fjalë kanë arritur ta ruajnë autenticitetin. Ndërsa demokracia e ka burimin e saj fillestar në Greqinë Antike, diktatura e diktatorët na vijnë nga Roma e vjetër. Por, gjithashtu është interesante se diktatorët e parë romakë ishin magjistrat, të cilëve pushteti absolut u jepej për një periudhë të jashtëzakonshme. Edhe pse magjistrave diktatorë, për një kohë u jepej pushteti absolut, ata nuk ishin as arbitrarë, as nuk ishin pa llogaridhënie. Kështu, si duket, ishte deri në shekullin e dytë para erës sonë dhe pastaj edhe diktatorët romakë nga Sula dhe Perandorët tjerë pas tij, shndërrohen në diktatorë në kuptimin e sotëm të fjalës, si diktatorë autokratë e despotë me pushtet të pakufizuar, të egër e tiranik.

 

Diktaturat më të rrezikshme ishin ato që i prodhoi

demokracia evropiane e pas Luftës së Parë Botërore…

 

            Gjithë shekujt e mëvonshëm kanë prodhuar diktatorë, despotë, tiranë, satrapë dhe autokratë. Gjatë periudhës se feudalizmit, pothuajse të gjithë perandorët apo mbretërit kanë udhëhequr në mënyrë autokrate, despotike. Siç duket, është në natyrën njerëzore, dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë deri më tani historia njerëzore, sa herë udhëheqësit kanë qëndruar gjatë në pushtet, kanë humbur vlerat njerëzore, kanë humbur të njerëzishmen në vetvete. Kjo edhe për faktin se servilët i kanë bindur për “vlerat” e pazëvendësueshme të tyre, për të cilat “vlera” ata janë të rezikuar nga kundërshtarët imagjinarë apo realë, prandaj ata “shtrëngoheshin” të hakmerreshin ndaj kundërshtarëve të tyre, duke i eliminuar fizikisht a politikisht. Nga kjo paranojë apo fobi, në të gjitha herat, kundërshtarët i kanë kërkuar në radhët e ngushta të bashkëpunëtorëve me ndihmën e të cilëve janë ngritur shkallëve të hierarkisë sunduese (kujto diktatoret komunist). Kjo i ka bërë ata që tërë pushtetin ta koncentrojnë në duart e veta, duke u rrethuar me njerëz servilë e të pa dinjitet, ashtu siç e thotë edhe poeti ynë, Ali Asllani, që dijnë të bëjnë “vetëm lepe e peqe”. Të tillët nuk mbarojnë kurrë, radhët i kanë të gjata.

     Një koncentrim  të tillë të pushtetit, në Perandorinë Osmane, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX, e ka bërë Sulltan Abdyl Hamiti, i cili tërë pushtetin e vet e koncentroi në oborrin e tij ku nuk mungonin as shqiptarët besnikë. Kjo formë e sundimit e përmbysi pushtetin e tij në të gjitha vendet e Ballkanit, dhe, më në fund edhe në hapësirën e sotme të Turqisë Kemaliste. Mirëpo, pasi të gjithë popujt që u çliruan nga Perandoria Osmane, duke mos njohur formë tjetër të sundimit e të pushtetit, i krijuan mbretëritë nacionale. Të gjitha këto  mbretëri do të përfundojnë në diktatura autokrate e despotike. Despotët nacionalë, pasi konsoliduan pushtetet e tyre, arritën t’i heshtin intelektualët dhe luftëtarët nacionalë, ndërsa kur nuk heshtnin iu organizonin vrasje tinzare brenda e jashtë atdheut. Ashtu siç bëri Ahmet Zogu, kundër patriotëve të mëdhenjë si: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, shumë të tjerë i heshti ose mbetën në margjinat e kohës. Duke vazhduar në kohë, se çudia nuk mbaron këtu, as pas përmbysjeve të këtyre mbretërive pas Luftës së Dytë Botërore, kur në shumicën e vendeve të rajonit u vendosën “diktaturat e proletariatit”, përsëri u vazhdua me njëshin dhe me pushtetin despotik. Duhet të themi se shekulli XX njeh shumë diktatura, të mëdha e të vogla, si në Evropë, në Azi, Afrikë dhe Amerikë (Latine), të shprehura egërsisht sidomos në këtë të fundit. Diktaturat më të rrezikshme ishin ato që i prodhoi demokracia evropiane e pas Luftës së Parë Botërore, që njerëzimit i shkaktuan humbjet më të mëdha njerëzore. Pas fashizmit italian dhe nazizmit gjerman, të cilët njerëzimit i sollën luftën më të madhe në përmasat botërore, Luftën e Dytë Botërore. Kjo nuk mbeti e keqja e vetme, pas luftës në një pjesë të Evropës në pushtet solli sistemin totalitarist, i cili në kohë paqe bëri institucionalizimin e dhunës, që njerëzimit të kësaj bote i solli shumë fatkeqësi. Në këtë drejtim, ndoshta më e dhimbshmja ishte shkelja mbi dinjitetin njerëzor, kur njerëzit nuk mund të ishin më as vetvetja.

 

“Diktatura e proletariatit”, e proklamuar si shpëtimtare

e njerëzimit gjeneroi në sundim autoritar e despotik

 

            Me vendosjen e “diktaturës së proletariatit”, popujt e Ballkanit shpresuan se do të vendosej pushteti i punëtorëve dhe i fshatarëve, se nuk do të kishte shtypje dhe shfrytëzim, se do të lulëzonte liria kombëtare e drejtësia sociale, se varfërisë, padijes e mjerimit të trashëguar nga e kaluara u kishte ardhur fundi. Bile, Lenini që ishte njohës i mirë i vuajtjeve njerëzore, thoshte se njerëzimi meriton që edhe “nevojtoret t’i kishte prej ari”. Fillimisht ky sistem, i proklamuar si shpëtimtar i njerëzimit, pati edhe suksese në disa fusha, sidomos në arsim, kulturë, shëndetësi etj., por shpejt gjeneroi në sundim autoritar e despotik, për të përfunduar në diktatura të egra e të përgjakshme për njerëzit në emër të të cilëve sundonin. Kjo shpresë, pra nuk zgjati shumë. Koha tregoi se edhe kjo pritje ishte e kotë. Diktaturat mbretërore në disa vende evropiane do të përfundojnë në “diktatura të proletariatit”, kur pushteti do të ushtrohej nga Sekretarët e Partive Komuniste, të cilët nga pushteti mund të zbritnin vetëm nga vdekja e natyrshme apo e dhunshme. Kështu ndodhi me shumicën e vendeve të kampit socialist. Me rëniet e diktaturave komuniste, njerëzimi sikur mori frymë më shlirishëm, duke shpresuar se demokracia triumfoi në shkallë botërore, se drejtësia dhe barazia në mes njerëzve do ta sundonte Botën.

 

Kush mund të na garantojë se servilët

nuk prodhojnë diktatorë e diktatura të reja?!

 

     Por, këtë shpresë e përmbysi fillimi i “Pranverës Arabe”, guxojmë ta quajmë kështu, kur diktaturat u shfaqen në një formë tjetër. Kush mund të na bindë se servilët e “demokracive” të brishta nuk prodhojnë diktatorë të tjerë, që shfrytëzojnë demokracitë e reja për të vendosur sundim autoritar e despotik si fazë të parë të sundimit diktatorial?! Diktatorët pa servilë, janë njerëz ta pafuqishëm, si  Gadafi para vdekjes që e pamë hapur të dhunohej, ndoshta nga njerëzit që i kishin shërbyer me vite me besnikëri e përultësi. Vetëm diktatorët nuk i kanë mundësitë e puthadorëve, atyre nuk u mundësohet transformimi brenda natës. Prandaj ata, në fund, mbesin vetëm ose vetëm me të afërmit e gjakut. Servilët janë finokë, ata dinë t’ua lënë “këmbët e arushës” në dorë edhe diktatorëve më të “mençur”. Servilët e kanë këtë mundësi, të tërheqjes si “qimja nga tlyeni” pasi ata në vazhdimësi kanë qenë prapaskena e errët e sundimit të egër?! Të gjitha këto i kemi parë edhe gjatë sundimit të diktatorit Millosheviq, pas përmbysjes së atij sundimi të egër. Kush mund të na garantojë se servilët nuk prodhojnë diktatorë e diktatura të reja?! Edhe njerëzit e demokracive perëndimore, në ndonjë rast, thua se po ndihmojnë në krijmin e diktaturave në vendet  më demokraci të  brishta! Ndoshta edhe kjo është njerëzore?! Për faktin se shumica e njerëzve kanë prirje për t’i mbrojtur interesat e veta ose të kombeve a të politikave të vendeve të veta, gjithnjë sipas parimit: “a ia vlen kjo për vendim tim”. Sigurisht që ky parim i tejkalon interesat meskine, të cilat shpesh dinë t’i mbrojnë njerëzit e vendit tim.

     A ka bota sot diktatorë?

     Servilët dykëmbësh a thua po i farkojnë në farkat e tyre diktatorët e rinj për t’i shkaktuar njerëzimit fatkeqësitë e radhës?! Knut Midgaard dhe Bjorn Erik Rasch, në librin: “Demokracia - kushtet dhe pasojat”, në faqen 39 shkruajnë: “Ata që kontribojnë me zgjuarsinë e tyre, rrallë kanë kërkesa për të drejta të veçanta. ... ata të pasurit janë të prirur për të zvogluar rëndësinë e “lirisë” se njerëzve”. Diktatorët e Botës arabe ishin të pasur, ata ishin shkaktaret e padrejtësive të mëdha shoqërore në botën arabe. Sigurisht, po të kishte në Botë, liri dhe të drejta të barabarta politike, nuk do të kishte nevoj për diktatorë e luftëra shkatërruese?! Shumicës së njerëzve nuk u mbetet tjetër, veçse “t’i bëjnë ballë kohës, ashtu si të vije”. Me dëshiren më të mirë, që mos t’u vije ashtu siç i erdhi Cvajgut!

Prishtinë, 18. 11. 2011

 

* ) Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

.

 

© Pashtriku.org, Nëntor'2011

 

 

 

KOSOVA PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

 

Shkruan: Dr.Jakup Krasniqi

 

     Ky punim është shkruar e botuar edhe si pjesë e një libri për një çështje tjetër, në fund të vitit 2005. Janë disa shkrime që u botuan këtyre ditëve në mediet tona të shkruara e elektronike, që me shtyn t’ju përkujtoj për diçka që si duket e kanë harruar, pasi ne shqiptarët harrojmë shpejt. E kanë harruar historinë e Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që nuk jam pajtuar me kualifikimin e deputetit Nait Hasani, por nuk pajtohem as me këndvështrimeve e disave që mbshtesin një politikë që në thelb ishte antishqiptare dhe anti njerezore. Nuk e kam mbështetur deputetin Hasani, pasi detyrë e obligim i yni parësor është përfaqësimi i gjithë qytetarëve të Kosovës, na duhet krijimi i vizionit për të ardhmen, na duhet vizioni për shtetin e pavarur e sovran të Republikës së Kosovës, se mjaft në të kalurën na kanë diferencuar të tjerët, vendit dhe popullit tonë i duhen pajtimi dhe zhvillimi. Sigurisht, që të gjithë ata që pësuan nga ai regjim pushtues, kanë nevoj për një sfatisfaksion moral ashtu si dikush ka përgjegjësi të madhe morale për veprat e dëmshme që i ka kryer në dëm të popullit e të vendit të vet. Ne na duhet zhvillimi dhe shikimi në të tashmen dhe në të ardhmen, përçka na duhet angazhimi dhe kontributi i secilit qytetarë, por nuk duhet edhe ta harrojmë të kalurën që ka qenë për shumë ke tepër e dhimbshme. Historinë e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore deri në qershorin e vitit 1999 mund ta ndajmë në katër faza që secila i ka karakteristikat e saja.

 

FAZA E PARË  - 1945 – 1966

 

     Në fazën e parë përfshihen vitet 1945-1966 që ndryshe quhet “përiudha e A.Rankoviqit”. Gjatë këtyre viteve, shqiptarët janë trajtuar mbi bazën e elaboratit të V. Qubrilloviqit në vitet 1937 të ripërtërirë në vitet 1944. Mos respektimi i vullnetit të popullit për vetëvendosje, provokoi Luftën e Gjilanit e të Drenicës (1944- 45), gjatë së cilës u shkatërruan e u rrënuan fshatra të tëra shqiptare. Masakrat do të vazhdojnë në të gjitha anët ku ndodheshin shqiptarët (Prizren, Gjilan, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë etj.). Madje edhe ndaj atyre që ishin për të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e pjesëve tjera të Jugosllavisë nga okupatorët: Masakra e Tivarit (1945) ku u ekzekutuan mbi 3500 shqiptarë dhe mijëra të tjerë në Vojvodinë që dëshmojnë për vazhdimin e politikës së vjetër shoviniste serbe ndaj shqiptarëve. Edhe në konfliktin ideologjik në mes të Jugosllavisë dhe BRSS, në kohën e Informbyrosë (1949 - 50) shqiptarët do të jenë objekt i sulmeve të pamëshirshme me qëllim të dëbimit përfundimtar të tyre nga këto hapësira. Për këtë qëllim, në vitin 1953 Qeveria Jugosllave nënshkruan Marrëveshjen e re për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Që të krijohet një klimë e përgjithshme paniku dhe tensioni ushtria dhe policia jugosllave ndërmarrin aksione të përmasave të mëdha. Nën pretekstin e kërkimit të armëve, 1100 shqiptarë janë vrarë apo kanë vdekur nga pasojat e torturave, ndërsa mbi 100.000 të tjerë janë torturuar (shih fejto-nin:”Delegacioni kosovar të Tito”, Politika, 12, 13, 14 majit 1967, Beograd). Kjo klimë e përgjithshme terrori ndikoi që marrëveshja e dytë jugosllave - turke për shpërnguljen e shqiptarëve të këtë më shumë sukses. Gjatë periudhës 1953 – 1960 u shpërngulën 283.000 shqiptarë për në Turqi. Sa i përket angazhimit në planin e jashtëm, Jugosllavinë e kësaj periudhe e karakterizonte aktivitetit në Lëvizjen e Painkuadrimit. Trum-betimi propagandistik i respektimit të të drejtave të popujve në planin ndërkombëtar binte ndesh me politikën ndaj shqiptarëve në planin e brendshëm. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe Plenumi i IV i Komitetit Qendror të LKJ-së, që u mbajt në Brione (qytezë në Kroaci) në qershor të vitit 1966. Në konkluzionin e kësaj mbledhjeje dënohet politika e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe faji i lihet vetëm policisë politike të Aleksandër Rankoviqit. Më 13 qershor 1966 shkarkohet nga funksioni A. Rankoviqi, shef i “policisë politike” dhe “rehabilitohet” pjesa tjetër e qeveritarëve që ishin në politikë në atë periudhë. Përkundër përpjekjeve që për këtë periudhë të dhunës të “shfajësohej” Tito dhe garnitura përreth tij, vlen të mos harrohet fakti se ai ka qenë megjithatë personi numër një i politikës jugosllave. Gjithashtu vlen të mos lihet në heshtje fakti se përpos dënimit verbal të politikës që u ndoq ndaj shqiptarëve në Jugosllavinë Socialiste, asnjëherë nuk u bë apel që të kthehen të shpërngulurit shqiptarë. Përkundrazi, ky fakt i politikës ndaj shqiptarëve lehej në heshtje dhe në disa periudha u planifikua vazhdimi i kolonizimit nën pretekstin e kthimit të serbëve të shpërngulur. Vitet e sundimit të A. Rankoviqit, janë vitet e ndjekjeve, burgosjeve dhe të vrasjeve të intelektualëve shqiptarë në burgje (rastet Shaban Shala e Fazli Grejçefci), në kufirin me Shqipërinë dhe dënimi me burgim të rëndë i Adem Demaçit dhe i bashkëpunëtorëve të tij. Politika serbe dhe jugosllave e pas Luftës së Dytë Botërore udhëhiqej sipas projekteve të V. Qubrilloviqit. Kësaj politike i pengonin të gjitha grupet e mëdha etnik joserbe, siç ishin: gjermanët, italianët, hungarezet dhe shqiptarët, prandaj këta duhej të dëboheshin nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia. V. Qubrilloviqi u thoshte drejtuesve të rinj komunist “që të kolonizoheshin tokat e pakicave...se nëse nuk zgjidhet tani ky problem, nuk do të zgjidhet kurrë”. Drejtuesit serbë, ndonëse bëheshin se nuk ia vunë veshin këshillës së V. Qubrilloviqit, ata nuk e harruan dhe në vazhdimësi janë udhëhequr nga mësimet e tija fashiste. Veprimet nëpër kohë të ndryshme e kanë verifikuar sa e sa herë deri më sot këtë politikë të dehumanizuar, më së miri e tregojnë vitet e freskëta të dëbimeve e të shfarosjeve të shqiptarëve 1990 – 1999, për të cilat do të flasim më poshtë. Pse shqiptarët e sotëm, kalemgjinjët e ri e jo të burgosurië politik, mos ta hulumtojnë peshën e përgjegjësisë së udhëheqësve shqiptar të atyre viteve. Nëse është që tu thurim himne dhe dithirambe lavdi,atyre që ishin në shërbim të një pushtuesi të “mirë” le të bëhet edhe ajo pse jo. Por, nëse e bëjmë këtë në shqiptarët e Kosovës, siç e bënë disa analistë në mediet tona, çka duhet të bëjnë për udhëheqësit e vetë qytetarët e Shqipërisë, të Serbisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë, të Bullgarisë, të Rumanisë e kështu me radhë, pasi në të gjitha këto vende ka pasur më shumë zhvillim e më pak dhunë e krime klasore. Të gjithë qytetarët e atryre vendeve, sipas një logjike që po shkruhet këtyre dite, duhet ta rikthejnë atë sistëm që tani më është dënuar nga të gjitha vendet e popujt që kapërcyen atë Golgotë, është dënuar nga e  gjithë politika e vendeve demokratike në Evropë e në Botë. Si behet që ajo politik, ideologji e sistem, kudo të ketë qenë i keq, vetëm në Kosovën e pushtuar na paska qene “ilimuniste”?! Sigurisht nëse krahasimin e bëjmë me hiqin, atëherë vërehet ndryshimi apo “iluminizmi”?!

 

FAZA E DYTË - 1967 – 1980

 

     Fazën e dytë përfshin periudhën nga rënia e Aleksander Rankoviqit deri të miratimi i kushtetutës së vitit 1974 dhe divergjencat që shfaqen pas zgjidhjes gjysmake të statusit politik të Kosovës e karakterizon lufta politike që do të përgatis konfliktin në formë të re. Më në fund, kërkesave të popullit shqiptar nuk mund t’u iknin autoritetet qendrore të Jugosllavisë. Në vend të respektimit të plotë të të drejtave, qeveritarët jugosllav tentonin të ”kënaqnin” shqiptarët me zgjedhje të pjesshme të problemeve. Kështu në këto vite në Kosovë fillon të respektohet e drejta për shkollim dhe për punësim në administratë dhe në Ndërmarrje Publike e Shoqërore. Me gjithë këto ndryshime, diskriminimi i shqiptarëve ka vazhduar, veçse në forma dhe metoda më të kamufluara. Si rezultat i pakënaqësive të mëdha shpërthejnë demonstratat e vitit 1968, ku shqiptarët kërkuan që Kosova të shpallej Republikë në kuadër të RFSJ. Demonstrata u shtyp me polici, ushtri e tanke dhe këtë kërkesë të ligjshme të shqiptarëve qeveritarët u munduan ta ngulfatin përmes burgosjeve, maltre-timeve dhe vrasjeve. Megjithatë, si rezultat i rezistencës, në vitin 1974, statusi politik i Kosovës do të ngritet në nivel të një Autonomie më të madhe. Kështu Kosova u njoh si pjesë konstituive e Federatës Jugosllave dhe u bë me Kushtetutë të veten. Ky avancim gjysmak i statusit politik do të lë shumë probleme. Të gjithë ata që rezistonin në Kosovë dhe kërkonin të drejta të plota u përndoqën si më parë. Në vitin 1975, në Kosovë kemi burgosjen e dy grupeve të mëdha. Dënimet ndaj të burgosurve do të jenë drakonike. Ndaj të burgosurve gjatë procesit të hetuesisë do të ushtrohej dhunë e madhe nga hetuesit e UDB-ës Sipas Amnesty International midis viteve 1971-1991 të burgosurit politik shqiptarë përbënin numrin më të ma të tyre. Me këto ndryshime, edhe pse gjysmake, nacionalizmi serb nuk do të pajtohej. Ata do të hartojnë të ashtuquajturin Libri i Kaltër, në të cilin qartësohet vizioni serb rreth Kosovës. Si nacionalist i tërbuar në këtë “Libër” do të dallohet Dobrica Qosiqi, shkrimtar dhe akademik serb, i cili në skenë do të rishfaqet pas viteve 1980. Ndoshta ndryshimi më përmbajtësor në Kosovë, në atë kohë, ka qenë Universiteti i Prishtinës, statusi i Autonomisë dhe Kushtetuta e 74. Por edhe gjatë kësaj kohe për shqiptarët e Kosovës, burgosja dhe dënimet me nenet e famshme të Kodit Penal, 133 e 136 e 114 mbeten “privilegji” më i mirë për ta në FJ. Të burgosurit shqiptarë shpërndaheshin e gjendeshin në të gjitha burgjet e Republikave të FJ. Shqiptarët veç burgjeve, kishin mundësinë të ishin edhe punëtorë krahu në të gjitha Republikat Jugosllave. Gjatë kësaj kohe Serbia dhe FJ ka bërë shfrytëzimin e dyfishtë të shqiptarëve dhe të Kosovës, në një anë është shfrytëzuar pasuria tokësore e nëntokësore e Kosovës e në anën tjetër është shfrytëzuar edhe fuqia fizike e punëtorëve nga Kosova, që kryesisht ishin shqiptarët.

 

FAZA E TRETË - 1981 – 1989

 

     Këtë fazë e karakterizon lufta rreth statusit politik të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Nga njëra anë, shqiptarët përmes demonstratave të vitit 1981 kërkonin të drejtën për të jetuar të barabartë me të tjerëtN NË ana tjetër, qeveritarët serbë që filluan politikën e dhunës dhe cungimit të të drejtave të shqiptarëve. Kjo luftë do të ngjallë një luftë dinamike, specifike në gjithë hapësirën jugosllave dhe do të krijojë një klimë të favorshme për daljen në skenë të plotë të politikës hegjemoniste serbe. Përmes Memorandumit të ASHAS dhe ndryshimeve në kreun partiak (ardhja e S. Millosheviqit në krye të partisë në Serbi), u krijuan kushte për një ofensivë të paparë kundër tërë hapësirës së ish-Jugosllavisë në përgjithësi, e të shqiptarëve në veçanti. Duke shpresuar se Serbia do të kënaqet vetëm me shtypjen e shqiptarëve dhe cungimin e të drejtave të tyre, Republikat tjera të federatës jugosllave hezituan që të konfrontohen me tendencat hegjemoniste serbe. Nëse i bëhet një rezyme e shkurtër kësaj periudhe mund të thuhet se janë vite që problemin e pazgjidhur të shqiptarëve e nxjerrin në rend të ditës dhe e shtruan për zgjidhje, si në rrafshin brenda FJ ashtu edhe në atë ndërkombëtar në përmasa meritore. Për popullin shqiptar e sidomos për rininë e shkollave dhe intelektualët dolën sfida të mëdha, sfida që kërkuan: guxim, vendosmëri dhe sakrifica të mëdha. Sfida me të cilat do të për-ballohen të gjithë qytetarët e Kosovës, të fshatit e të qytetit, të gjitha shtresat e kategoritë e shoqërisë: punëtorët, fshatarët, administrata publike – arsimore e shëndetësore, intelektualë e shkencëtarë, të vjetër e të rinj, fëmijë e gra. U përballën me mungesë edukimi e arsimi, pune e shërimi, mungesë sigurie e buke në sofër, mungesë dije e informimi, zhvillimi e përparimi të mbetur vetëm me shpresën për një të ardhme më të mirë. Gjatë këtyre viteve, fillimisht u bënë përpjekje të mëdha për të bërë diferenca brenda llojit dhe u bënë diferencime, por jo në përmasat që dëshironin zotërinjtë në Beograd të cilët do t’i diferencojnë të gjithë shqiptarët nga të tjerët, duke arritur, sidomos sukses në instrumen -  talizimin e serbëve të Kosovës. Kjo formë e diferencimit të të gjithë shqiptarëve u arrit në fund të viteve të ’80-ta. Ishin vite të një shtetrrethimi të plotë. FJ në Kosovë kishte mbi 60.000 forca policore e ushtarake. Janë vite që Beogradi kishte sinkronizuar të gjithë makinerinë politike, duke filluar nga LKJ-në, LKS-në KKK-në, gjithë aparatet represive dhe institucionet shtetërore si: policinë e ushtrinë, Shërbimin sekret serb, (civil e ushtarak), Sistemin e Drejtësisë, institucionet shkencore, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Shoqatën e Shkrimtarëve serbë, mjetet e informimit publik, (të shkruara dhe elektronike), e veçanërisht publicistikën për të sulmuar gjithçka shqiptare, për të vajtuar e mitizuar çdo gjë serbe, duke kthyer në hero kombëtar serb rastin e famshëm të shishes së Gjorgje Matinoviqit. Serbet po e aktronin viktimizimin. Të gjitha segmentet shtetërore të autonomisë së Kosovës ishin shndërruar në filiale të politikës serbe të Beogradit. Sidomos të instrume-ntalizuar nga Beogradi ishin: policia, hetuesia, prokuroria dhe gjyqësia. Gjatë viteve 1981-1990, nëpër duart të policisë kaluan mbi 584.373 shqiptarë, sipas të dhënave tona ishin mbi 700.000, mijëra të tjerë u dënuan me shumë vjet burg, po të ktheheshin në shekuj do të bënin mbi 250 shekuj. Kërkesat e drejta e paqësore të shqiptarëve u shfrytëzuan për sulm të përgjithshëm në çdo gjë shqiptare, sulmi do të përqëndrohej në nënën shqiptare, duke e quajtur edhe makinë larëse. Sulmi ishte i drejtuar në substancën shqiptare - në plleshmërinë e nënës. E gjithë kjo politikë, burimin e kishte te politika serbe e Elaborateve të V. Qubrilloviqit dhe te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe Programet Jugosllave për Kosovën që miratoheshin edhe në institucionet e KASK. Vitet e 80-ta po përfundonin me diferencimin e gjithë shqiptarëve edhe të atyre që deri vonë i kishin berë argatë në realizimin e planeve shoviniste serbe, do të helmohen mbi 7000 nxënës e studentë shqiptarë, ndodhin grevat e minatorëve në zgafellë, më 23 mars 1989 bëhen ndryshimet Kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, ku de fakto Kosova humb autonominë. Shqiptarët nxirren nga puna në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, politike e publike (mbi 120.000 punëtorë largohen nga puna), universiteti e shkollat po bëheshin mollë e ndaluar për shqiptarët. Në nëntor të vitit 1988, para më shumë se 350.000 protestuesve, në mënyrën më të hapet, përgatit yryshnikët serbë drejt Kosovës. Në atë fjalim, Millosheviqi në mes të tjerash tha: “Çdo popull e ka një dashuri që ia ngroh përjetësisht zemrën. Për Serbinë kjo është Kosova”. Këtë frymë, politike dhe filozofike, të thirrjes për luftë e gjëje në të gjithë segmentet e jetës, politike, publike, shoqërore e informative. Kjo frymë e ky helm nuk do të çrrënjoset nga kokat që e ushqyen, u udhëhoqën dhe u rritën me të. Në vitin tjetër qeveritarët e Beogradit do të organizojnë manifestimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Më 28 qershor 1989, në Gazimestan, S. Millosheviqi do t’u shpallë luftë të gjithë atyre që guxojnë ta kundërshtojnë atë dhe politikën e tij shoviniste. Ai tregoi haptas se: “...Heroizmi i Kosovës nuk na lejon të harrojmë se dikur ne ishim trima dhe të nderuar dhe nga të paktit që kanë shkuar nëpër beteja të pamposhtur...Gjashtë shekuj më vonë, ne jemi përsëri në beteja dhe grindje. Këto nuk janë beteja të armatosura, megjithëse një gjë e tillë nuk duhet përjashtuar ende”. Ai ishte paralajmërim i hapët për luftërat që pasuan në hapësirat e ish FJ. Tani për të gjithë ishte e qartë, politika e Memorandumit të ASHAS, po bëhej politikë udhëheqëse e politikës zyrtare në Beograd. Vozhda i saj ishte kryekrimineli S. Millosheviq. Politika e Millosheviqit nuk ishte e fshehtë, ajo përcillej nga një armatë e tërë informative, të vendit dhe ndër-kombëtare. Në Kosovë u organizuan protesta popullore, të gjitha u shuan me gjak. Shqiptarëve po u mbetej: të nënshtroheshin, të merrnin rrugën e migracionit ose të përgatiteshin për forma të tjera të rezistencës aktive. Në mars të vitit 1989 në Kosovë u vendos pushteti ushtarak. Ndodhën arrestime masive. Në mesin e të arrestuarve gjendeshin edhe udhëheqës të deri djeshëm. Më 23 mars Kuvendi i Kosovës, miratoi amendamentet të cilat Krahinës ia hoqën autonominë. Sipas Amnesty Internacional, në protestat dhe demonstratat që u mbajtën kudo në Kosovë, rreth 140 persona gjetën vdekjen. Në Kosovë filloi epoka e gjenocidit serb sipas projekteve të fshehta të shtetit serb. Dihet se baza e gjithë kësaj politike kriminele, terroriste e fashiste dhe e asaj që do të pason edhe gjatë dekadës së fundit të shëkullit XX, duhet kërkuar të vlerësimi që iu bë Demonstratave të vitit 1981 si kundërrevolucion. Dhe vetë vlerësimi kunderrevolucion kishte bazë ideologjike.

 

FAZA E KATËRT - 1990 – 1997

 

     Janë vite të rezistencës aktive e pasive (jo të dhunshme). Kjo fazë i ka dy karakteristika të theksuar e dalluese: a) nxjerrja e shqiptarëve, në shumicë jashtë institucioneve e punës dhe b) nis pluralizmi politik, tek ne i njohur edhe si alternativë demokratike - pacifiste. Pluralizmi për shqiptarët ishte një karrem i rrezikshëm. Shqiptarët kishin nevojë për një bashkim të fuqishëm. Pluralizmi po fillonte në Kosovë, në kushte shumë të vështira, shu-mica e shqiptarëve ishin të papunë, brenda pak vitesh 90% e shqiptarëve ishin të papunë, u mungonin mjetet financiare për jetë, burim kryesor për mbijetesë ishin të ardhurat nga migracioni. Ikja nga Kosova ishte shpresa e vetme për shumë të rinj. Mbi 400.000 shqiptarë ia kishin mësuer vendeve të demokracisë perëndimore. Alternativa demokratike përveç që ishte e pa busullë, ajo nuk ishte e gatshme të ndërmerrte asnjë veprim të guximshëm e serioz në të mirë të vendit. Ajo gandizmin apo pacifizmin nuk e kishte zgjedh si vlerë a bindje, por nga mosbesimi në kryengritjen e armatosur. Kosova ishte në shtetrrethim. Përveç njësive policore dhe ushtarake në Kosovë ushtronin aktivitet të dhunshëm e plaçkitës njësitë paraushtarake të “Arkanit” e të V. Sheshelit, të cilët fillimisht grabitnin të holla dhe sende me vlerë në dyqane e familje shqiptare. Në vitet 90-91 do të lirohen shumica e të burgosurve të Pranverës Shqiptare, homogjenizimi i shqiptarëve kishte arritur një nivel të lak-mueshëm, por alternativa demokratike jo vetëm që nuk arriti ta ruajë, por e zvetnoi deri në nënshtrim të plotë karshi regjimit të S. Millosheviqit. Ndodhi lëvizja masive për faljen e gjaqeve, pajtimi kombëtar, u kuptu si një përgatitje për luftë çlirimtare. Gabimi krucial i Lëvizjes Politike Shqiptare u bë, kur në krye të rezistencës nuk u vendosë Simboli i rezistencës kombëtare. U bënë përpjekje për krijimin e një jete institucionale të pavarur, por ajo vetëm pjesërisht do të funksionojë. Gjatë kësaj kohe kemi Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Referendumin gjithëpopullor të shtatorit 1991, me këto akte Kosova u shpall e pavarur nga Serbia, por jo nga Jugosllavia. Në shtator 1990 u shpall Kushtetuta e Kaçanikut dhe në vitin tjetër zgjedhjet e lira të 24 majit 1992. Krerët e rezistencës pasive u treguan të pavendosur për krijimin dhe forcimin e jetës institucionale. Në migracion u vendos qeveria e Kosovës e cila u vendos në Bon. Nga viti 1993, nga Fondi i 3% do të financohen mbi 20.000 arsimtarë, mësues e profesorë Universiteti që edukonin mbi 320.000 nxënës, e mbi 12.000 studentë. Edhepse Administrata e dhunshme serbe i vilte të gjitha taksat nga qytetarët e bizneset kosovare. Një pavarësi, por në kushte tepër të renda ishte arritur në sferën e arsimit, të financimit e të shëndetësisë dhe të drejtave të njeriut, veç të ashtuquajturave parti politike shqiptare. Por ndaj të gjithë këtyre segmenteve të jetës, pushteti i Beogradit vazhdonte dhunë sistematike. Jeta e padurueshme ishte bërë sidomos për rekrutët shqiptarë në Armatën Jugosllave. Ishte bërë praktikë e dhimbshme, kthimi i ushtarëve shqiptarë në arkivole, kinse që ata po bëkan vetëvrasje. Kështu filloj ikja e shqiptarëve nga ushtria. Regjimi i Beogradit nuk do të shqetësohej nga ky fenomen, përkundrazi, ai do ta stimulojë duke vazhduar me shpërndarjet fletëthirrje për të rinjtë shqiptarë të cilët duke i ikur shkuarjes në ushtrinë Jugosllave po largoheshin nga Kosovë, ky edhe ishte qëllimi i politikës së Beogradit, që sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga Kosova. “Sa ma shumë shqiptarë, thoshte princ Millani, të shpërngulni nga trojet e tyre, aq më të mëdha janë meritat tuja para atdheut”. Me gjithë monitorimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, politika serbe e Beogradit, po e vazhdonte politikën e saj të programuar ekspansioniste ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, për shqiptarët e Kosovën të “gjitha rrugët” të shpinin në botën perëndimore. Më e mira e kësaj kohe është së një pjesë e Lëvizjes Politike Klandestine nuk lejoi të bëhet pjesë e lojës “demokratike”, ajo vazhdoi aktivitetin atdhetar fshehurazi. Perëndimi po bëhej magje dhe poligon i liridashësve të Kosovës. Nga ky organizim legal në vendet e demokracisë perëndimore e i fshehtë në Kosovë, do të krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila del nga gjiri i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Rol të pazëvendësueshëm në këtë krijim të ri politik dhe ushtarak, ka Adem Jashari dhe Formacioni i tij i armatosur. Ky Formacion, përveç që do të ndërmerr aksionet e para mbi forcat policore armike, bëhet edhe vendstrehim për çdo veprimtarë politik që ndiqej nga forcat pushtuese. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte formacion i armatosur për të sulmuar vende a popuj të tjerë, ishte formacion i armatosur i lirisë, i nderit e dinjitetit kombëtar, njerëzor e familjar. Këtë formacion e karakterizonte ndjenja e lartë e sakrificës dhe e vetëflijimit. Këto vite ishin vite të një ngecjeje të madhe ekonomike, vite të një dhune të vazhdueshme mbi popullin shqiptar, vite të një nëpërkëmbjeje të vazhdueshme, vitet e një psikoze pasigurie e pa perspektive, vite të plaçkitjeve të vazhdueshme nga administrata e policia serbe, vitet e padinjitetshme të njeriut, sidomos të shqiptarëve për jetë. Pasiguria ishte kudo, në shtëpi, në rrugë, në autobus, në treg e kudo ku ishte nevoja të ishe në vendin tënd. Nuk kishte siguri për jetë, për familje as për pasuri e katandi. Shqiptarëve po ju mbeteshin vetëm dy rrugë: asimilimi e ikja ose lufta e armatosur. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me Komandant Adem Jashariun zgjodhi Luftën Çlirimtare. Luftën për liri, paqe e dinjitet njerëzor.

      Nuk thuhet kot: “Liria i ka rrënjët në gjak!”

     Për vitet e luftës nuk dua ta ngarkoj lexuesin e nderuar, pasi konsideroj se të pakt janë ata shqiptar që edhe sot nuk i kanë të fresketa ato vite të vështira. Unë nuk dua të jap asnjë kualifikim për politikën e udhëheqësve shqiptar që ishin në shërbim të armikut shekullor, nëse për ketë nuk flasin dëshmit e shkurtra që afrova në ketë punim timin, i cili në një formë më të zgjeruar gjendet në librin tim, Kosova në kontekst historik të botuar në fund të vitit 2005, i cili në formë më të zgjeruar se shpejti do të ribotohet. Le të shërbej ky shkrim për rifreskim të kujtesës për ata që i kanë harruar vitet e pushtimit serbo-komunist. Më posht po japim një pjesë jo të plotë të dëmeve të shumta që ka shkaktuar politika e neosocializmit serb në Kosovë gjatë viteve 1998/99. Edhe pasojat e kësaj lufte duhet kërkuar të vlerësimi që iu bë kërkeses së popullit shqiptar për Republikë si kërkrsë kunderrevolucionare në fillim të vitit 1981.

 

     Lufta solli vrasjen e mbi 13.000 civilëve, djegien e rreth 1000 vendbanimeve, shkatërrimi i tërësishëm i mbi 104.000 shtëpive dhe i mbi 214.000 të tjerave të shkatërruara e të plaçkitura, mbi 2000 dëshmorë të UÇK-së, që gjaku i tyre na u bëftë ditë me dritë dhe humbje të tjera të ekonomive familjare e kombëtare si dhe dëbimin e rreth një 1.000.000 qytetarëve nga shtëpia e tyre dhe marrja e dokumentacionit identifikues. Sfatiksacion i të gjitha këtyre humbjeve njerëzore e materiale, Çlirimi i Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Ko-sovës me ndihmën e NATO-s. Ky është çmimi i lirisë! Gjashtë vitet e pas luftës çlirimtare, për popullin shqiptar, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, kanë qenë e janë, gjashtë vite të një shprese të madhe, gjashtë vite të ndryshimeve të mëdha, gjashtë vite të një politike ndryshe, gjashtë vite të një ndihme substanciale të komunitetit ndërkombëtar. Këto vite të një pritjeje të madhe nuk guxojnë të kthehen në vite të një zhgënjimi të madh. Zhgënjimi nuk është zgjidhje, ai përmbys gjithë investimin e vendorëve për liri, pavarësi e demokraci, përmbys gjithë investimet e ndërkombëtarëve për paqe, liri e shtet ligjor. Kosovës i duhet vazhdimi i shpresës së madhe dhe finalizimi i saj.

 

*   *   *

     Kështu shkruaja para gjashtë vjete, tani jemi në vitin e tretë pas pavarësisë, për Kosovën dhe qytetarët e saj janë hapur perspektiva të reja, të pa para në historinë e saj shumëshekullore.

( Pashtriku.org, 24. 05. 2010 )

 

 

powered by Beepworld