Në 30 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

 

‘DUHET THYER HESHTJA’

     Deri sot kam heshtur rreth faktit që e njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane. Kam heshtur edhe rreth asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve të vërtetë, por edhe armiqve të babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të tij, të cilët si atëherë ashtu edhe sot, shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.

 

 

 

Shkruan: Donika GËRVALLA

 

     Unë kam qenë 10-vjeçare kur u vra Babi në Gjermani. Vrasja u krye nga profesionistë të Sigurimit jugosllav. Jusuf Gërvalla vdiq më 18 janar 1982, në orën tre të mëngjesit në spital, si pasojë e atentatit të ushtruar më 17 janar ndaj tij, vëllait të tij Bardhoshit, si dhe mysafirit të tyre, Kadri Zeka. Rreth rrethanave të vrasjes kam heshtur 30 vjet.

     Për mua dhe vëllezërit e mi, ai më shumë se gjithçka tjetër mbetet Babi ynë. Për nënën tonë ai mbetet bashkëshorti dhe shoku i dashur i jetës. Për Nënën Ajshe, së bashku me mixhën Bardhosh, ata mbesin djemtë e saj të dashur, vdekja e të cilëve ia rëndoi zemrën shumë. Për shumë njerëz në Kosovë, njeriu Jusuf Gërvalla, shkrimtar, gazetar dhe kantautor, ka qenë dhe mbetet një figurë e nderuar, por edhe një njeri i dashur për ta. Këtë burrë trupvogël e bëri të madh jeta dhe vepra e tij.

     Deri sot kam heshtur rreth faktit, që e njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane. Kam heshtur edhe rreth asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve të vërtetë, por edhe armiqve të babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të tij, të cilët si atëherë ashtu edhe sot shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.

     Qëllimi i Babit në Gjermani ishte të bashkonte diasporën shqiptare. Këtë qëllim e ndiqte me shumë ngulm, pasion dhe mençuri. Ai me shqiptarët e emigruar bisedonte rreth familjeve të tyre, lirisë dhe asaj që duhej bërë për të përmirësuar situatën në vendlindje. Në fillim të viteve ‘80, për herë parë nën organizimin e tij, shqiptarët mbushën rrugët e Gjermanisë për të demonstruar për të drejtat e tyre dhe kundër tankeve dhe dhunës së ushtruar në Kosovë.

     Babi im vendosi shumë shpejt të dëgjojë zërin e popullit në Kosovë dhe e përkrahu menjëherë kërkesën për Republikë, gjë që nuk i solli vetëm miq në radhët e diasporës shqiptare. E mbaj mend mirë skenën kur dëgjoi për herë të parë për demonstratat e studentëve në mars 1981. Rrallë e kisha parë kaq të entuziazmuar.

     Nuk duhet të heshtin më dëshmitarët e kohës që i njohin të gjitha këto fakte. Nuk duhet të heshtet as për atë burrë që e dërguan me armë tek Babi në shtëpi që ta vriste. Babi, pa i nuhatur aspak qëllimet e tij, gjatë bisedës së gjatë që zhvilluan e bëri që të nxjerrë armën, ta vërë para vetes në tavolinë dhe t’i thotë: „Jusuf, bëj çfarë të duash me mua. Unë kam ardhur të të vras, sepse më patën bindur se je tradhtar. E shoh që qenkam mashtruar“. Përgjigjja e Babit ishte miqësia që i ofroi. Po i njëjti person, një atdhetar i flaktë dhe i pakompromis, nga të njëjtët njerëz dërgohet në Kosovë, bie në kurth dhe dënohet me 14 vjet burg. Një viktimë e regjimit jugosllav dhe njëkohësisht një viktimë e tradhtisë shqiptare.

 

Jusuf Gërvalla

 

     E vërtetë është që në mesin e shqiptarëve atë kohë kishte mjaft spiunë, të cilët punonin për UDB-ën ose të tillë, që për një privilegj të vogël në konsullatën aq të urryer jugosllave në Stuttgart raportonin për Jusuf Gërvallën dhe ata që kishin kontakt me të. Sa të ulët paskan qenë këta njerëz që në këtë formë e shfrytëzonin derën dhe zemrën e hapur të familjes Gërvalla.

 

* * *

     Babi dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar për arritjen e qëllimit të tyre të përbashkët, lirinë e Kosovës. Kadriu ishte shpesh i pranishëm në demonstratat që organizoheshin në Gjermani. Babi, si gazetar me shumë përvojë, angazhohej me ftesë të Kadriut për një përmbajtje sa më cilësore të gazetës „Liria“, që botohej në atë kohë nga Kadri Zeka. Njëjtë vepronte edhe me gazeta të tjera që botoheshin në diasporë. Ai donte që të flitej fuqishëm dhe me një gjuhë të përbashkët.

     Por e gjithë e vërteta është që unë nuk jam e vetmja që e di se sa të tensionuara ishin një kohë relatat mes Babit tim dhe Kadri Zekës. Ata asnjëherë nuk arritën të bëheshin shokë. Shkak për këtë mund të ishte edhe fakti që kishin përfytyrime të ndryshme, se cila do të ishte rruga më e mirë për arritjen e synimeve të përbashkëta. Babi asnjëherë nuk ka punuar me kërcënime, nuk ka mbajtur armë, madje as atëherë kur nuk kishte më asnjë dyshim, se sa në rrezik ishte jeta e tij. Por Babi dhe Kadri Zeka në luftën e përbashkët për liri përpiqeshin të arrinin megjithatë një bashkim.

     Pikërisht më 17 janar, pra ditën e atentatit, ata u liruan mjaft me njëri - tjetrin. Nga shtëpia dolën duke qeshur me të madhe dhe duke bërë shaka. Mjaft tragjike që ata vriten pikërisht në këtë ditë të afrimit të tyre. Nuk është ndonjë turp, nëse luftën e përbashkët për liri nuk e kufizon brenda rrethit të shokëve dhe miqve të ngushtë. Përkundrazi, edhe më madhështore na duken në retrospektivë këto figura, kur e dimë që bashkonin forcat në luftë për çlirimin e Kosovës, edhe pse personalisht mund të kishin rezerva ndaj njëri-tjetrit.

     Në një kohë kur Kosova kërcënohej nga regjimi jugosllav dhe më vonë edhe më rëndë nga ai serb, rreth këtyre rrethanave nuk është folur asnjëherë për të mos zbehur dhe rrezikuar edhe atë unitet të brishtë, i cili u krijua mes shqiptarëve në diasporë pas kësaj vrasjeje mizore. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është Republikë. Shtet i pavarur dhe sovran. Është koha të flitet për të gjitha etapat e luftës për çlirimin e Kosovës dhe është koha që të flitet e tërë e vërteta. Ua kemi borxh brezave të rinj që historinë t’ua përcjellim të pastër dhe pa legjenda. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për historinë e Babit tim.

 

* * *

     Pas largimit të detyruar nga Kosova, Babi në Gjermani shkroi qindra faqe. Kohën e kalonte kryesisht „lart“, në dhomën e tij të punës. Kur doja të kaloja pak kohë me të shkoja nganjëherë lart tek ai në dhomë. Ai zakonisht punonte në tavolinë, shkruante dhe korrigjonte. Kishte dorëshkrime pa fund, të cilat i shtypte në fund në një makinë shkrimi mjaft moderne për atë kohë (ai nuk e përjetoi kohën e kompjuterit, sepse vdiq shumë i ri). Shkruante në makinë vetëm me dy gishtat tregues, por me një shpejtësi të jashtëzakonshme që më mahniste si fëmijë. Kur kishte kohë më ftonte të ulesha pranë tij dhe t’ia diktoja tekstet që ishte duke i hedhur nga dorëshkrimi në makinë. Herë pas here ulej këmbëkryq në karrige, ngaqë kaq gjatë shkruante sa i lodheshin këmbët. Ndërpriste shkrimin, më tregonte diçka ose më shpjegonte ndonjë pjesë të tekstit që nuk e kuptoja, dhe vazhdonte të shkruante.

     Babi im, shkrimtari dhe poeti, njeriu i artit dhe i letërsisë, në dy vjetët e kaluar në Gjermani nuk shkroi as edhe një poezi të vetme. E kishin privuar nga vendlindja, për lirinë e së cilës luftonte tani nga Gjermania me mjetet e tij, me forcën e fjalës dhe penës së tij. Gjatë këtyre 30 vjetëve kam gjetur nga ajo kohë vetëm një strofë të shkruar me stilograf në këndin e një faqeje të një gazete. Strofa titullohej: Vdekja.

 

     Babi e donte shumë kitarën e tij. Në Gjermani të dy vëllezërit, Bardhi dhe Jusufi, merrnin shpesh kitarat e tyre në dorë dhe këndonin. Kur isha në klasën e tretë dhe duhej të zgjidhja në shkollë një instrument muzikor e pyeta Babin se a mendonte ai që unë të zgjidhja kitarën apo flautin (natyrisht që unë doja ta merrja kitarën si Babi im!). Ai më këshilloi të merrja flautin. „I biem bashkë“ më pati thënë, „ti flautit e unë kitarës“. Edhe pse unë ende nuk dija t’i bija flautit mirë, më ftonte herë pas here të luanim melodinë shumë të thjeshtë të këngës kaq kuptimplote „Për Mëmëdhenë“.

Më 17 janar, ditën e atentatit, pati biseduar me ne fëmijët për Skënderbeun dhe faktin që atë ditë ishte përvjetori i vdekjes së tij. Askush përveç vrasësve të tij dhe atyre që e kishin urdhëruar atë vrasje nuk e dinte në atë moment që Babi im do të vritej në ditën e vdekjes së Skënderbeut.

     Por ai do të arrinte ta shtynte datën e vdekjes së tij për një ditë. Jusuf Gërvalla e ka parë vrasësin e tij. E dinte që Kadriu kishte vdekur në vendin e ngjarjes, sepse e shihte të shtrirë përtokë skaj makinës. Në spital është dërguar duke menduar që vëllai i tij më i ri ishte ende gjallë dhe mund t’i kishte shpëtuar atentatit. Më e rëndësishme sesa të operohej, atij do t’i jetë dukur të bënte një deklarim të qartë që nuk linte asnjë dilemë.

     Atentati u krye rreth orës 22:15. Babi nguli këmbë të pritej derisa të vinte policia dhe në orën 00:30 të datës 18 janar, deklaron në prani të personelit mjekësor dhe të policisë gjermane që vrasja ishte kryer nga UDB-ja jugosllave.

     Ndërkohë e kam shumë të qartë që UDB-ja nuk do të mund ta kishte vrarë Babin pa ndihmës - ose thënë më saktë pa tradhtarë - nga rrethi i njerëzve që ndodheshin rreth tij. Babi kishte shumë kohë që kur binte zilja e derës nuk dilte asnjëherë ta hapte. Të gjithë pjesëtarët e familjes e dinim që kishte kërcënime të vazhdueshme. Unë vetë pata parë një natë nga dritarja një person, që përpiqej të hapte derën e garazhit tonë dhe i pata njoftuar prindërit menjëherë.

     Babi pak minuta pas atentatit, ndërkohë që pritej ndihma e shpejtë dhe policia, Mamit i thotë: „Në qoftë shqiptar, kurrë mos u gjettë“. Nuk është e vërtetë që ai nuk donte të zbulohej vrasësi. Jusuf Gërvalla nuk donte që shqiptarët e robëruar të bëheshin viktimë e propagandës serbe, që vazhdimisht thoshte se shqiptarët po vriten mes vete. Ai shumë kohë para vdekjes së tij e ka ditur që edhe në mesin e shqiptarëve kishte vegla në duart e vrasësve jugosllavë.

     Si vajzë e tij, e kam përjetuar nga afër Babin tim, kam përjetuar mendimet dhe ndjenjat e tij. Dhe një gjë e di me siguri: Kosova për të cilën Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe shumë të tjerë dhanë jetën, është Kosova e lirë si një shtet, i cili pas gjithë atyre viteve të robërisë na e kthen dinjitetin dhe krenarinë.

 

Le ta thyejmë heshtjen së bashku…

 

 

 

© Pashtriku.org, Janar’2012

 

 

Në 29 vj. e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës

JA VDEKJE, JA LIRI!

     Enver Hadri (1941- 25 shkurt 1990) ishte veprimtar për të drejtat e njeriut dhe për çështjen kombëtare. Në fillim të vitit 1972 ai u vendos në Bruksel, ku vazhdoi veprimtarinë politike nëpërmjet Organizatës Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës. Organ i kësaj organizate ishte revista ”Zëri i Kosovës” në gjuhën shqipe dhe frënge, përmes të cilës bëhej thirrje për bashkimin e trojeve shqiptare në përgjithësi, sidomos punohej që çështja e Kosovës të futej në agjendat e diplomacisë ndërkombëtare, si Unioni Evropian, NATO, etj,. Në Bruksel ai formoi dhe drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Më 25 shkurt, 1990, në moshën 49 vjeçare, Enver Hadri u plagos dhe më vonë vdiq në spital nga një atentat në Sent Zhil (origj. Saint Gilles), Bruksel, i porositur nga Shërbimi Sekret Serb (UDBA). Atentatorët, Veselin Vukotiç (Veshko), Andria Lakoniç dhe Darko Ashanin, e qëlluan me dy plumba në kokë deri sa kishte ndaluar makinën në një semafor. Hadri kishte me vete listën e 23 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia, të cilën mendonte t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentin Evropian. Pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, më 17 janar 1982, Enver Hadri në numrin vijues të revistës ”Zëri i Kosovës” që doli më 20 janar 1982 në Bruksel, botoi shkrimin ”JA VDEKJE JA LIRI!” kushtuar dëshmorëve, dhe me rastin e 29 vjetorit të vrasjes së tyre, botohet në pashtriku.org.

 

Nga Enver Hadri

     Vrasja e tre patriotëve liridashës e përparimtarë në Gjermaninë Perëndimore më 17 gjegjësisht 18. 01. 1982 në krye me Jusuf Gërvallën duhet të ngjallin mënin më të madhe kundër armikut. Këto vrasje duhet t'i bashkojnë të gjitha forcat përparimtare kosovare në luftë të vendosur drejt pavarësisë dhe socializmit të vërtetë.

     Kosova jonë e dashur që nga 11 marsi 1981 u bë arenë e ngjarjeve të përgjakshme. U bë prova dhe qëndrueshmëria e shqiptarizmit. Kosovarët i vranë dhe i burgosën. Por Kosova nuk u qetësua. Kosova nuk hesht! Politika diskriminuese e qeverisë fashiste jugosllave bëri që Kosova sot të ketë shkallën më të ulët të zhvillimit ekonomik, që papunësia të arrij kulminacionin, që pasuria e Kosovës të shfrytëzohet në maksimum prej firmave të huaja. Politika hegjemoniste e serbomëdhenjve të Beogradit iu mohoi ende të gjitha të drejtat politike e njerëzore shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

     Qeveria fashiste dhe revizioniste e Beogradit dërgon ushtri dhe polici speciale për të vrarë rininë tonë liridashëse, revolucionare dhe përparimtare (progresiste). Dërgon tanke për të shkelur fëmijët tanë shqiptarë në Kosovë. Më se tre mijë të vrarë nga policia dhe ushtria jugosllave e me mijëra të tjerë të plagosur e të humbur. Dyqind e tetëdhjetë e gjashtë vetë të dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet. Më së njëmijë të tjerë presin për t'u gjykuar në gjyqet e UDB’së jugosllave. Dhe ku do të ndalet ky numër... Bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës kërkuan të drejtat legjitime të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të okupuara nga Jugosllavia. Kemi parë ku çon politika jo e drejtë e një pseudosocializmi, siç është politika fashiste e qeverisë jugosllave. Shqiptarët vdiqën në Kosovë - për Kosovën, shqiptarët vdesin në botën e lirë - po për Kosovën! Vdesin djemtë më të mirë të kombit. Por edhe sikur të na vrasin të gjithëve këtu në mërgim, Lëvizja Nacional Çlirimtare për të Drejtat e Shqiptarëve nuk do të shuhet sepse çdo njeri nga ne e din se të vdesësh për atdhe është një privilegj.

     Vrasja e tre atdhetarëve kosovarë, me në krye atdhetarin dhe përparimtarin e çmuar Jusuf Gërvalla, nga agjentura fashiste e Beogradit, duhet të ngjallë mëninë më të madhe kundër armikut, duhet t'i bashkoj të gjitha forcat përparimtare kosovare në luftë të vendosur drejt pavarësisë dhe socializmit të vërtetë.

     Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës shpreh indinjatën e vet dhe proteston energjikisht kundër masave fashiste që merr qeveria e Beogradit për t'i likuiduar atdhetarët kosovarë, qoftë në Kosovë apo në botën e jashtme. Këto akte kuptohen si shpallje lufte mërgatës shqiptare. Ne të gjithë jemi bijtë e Kosovës. Ne të gjithë jemi vëllezër. E sot ne jemi më të bashkuar se kurrë, më vigjilentë dhe më të vendosur që të vazhdojmë rrugën e lirisë së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare drejt një të ardhmeje më të lumtur.

     Aventurierët, nostalgjikët dhe shërbëtorët e UDB-ës nuk kan vend në mesin tonë. Para armikut dhe në mes të turbullirave, që ka sot në botë, asgjë nuk është e lejueshme përpos se të bashkojmë idetë tona, njerëzit tanë dhe territoret tona. Këtë detyrë të rëndë ne do ta zbatojmë për lirinë e Kosovës dhe krahinave të saja, me një ndërgjegje që t'i shërbejmë mirë dhe me vendosmëri deri në fitoren e plotë!

     Kosova me ne! Ja vdekje - ja liri!

Enver Hadri, d.v.

(Enver Hadri: Zëri i Kosovës", Bruksel, 20 janar 1982. Marrë nga libri Halit Elshani: "Çeta e Brukselit", kapitulli 34, faqe 154, Prishtinë 2007)

Letër ngushëlluese

 

     Pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës (më 17 janar 1982) në adresë të Familjes Gërvalla dhe të Kadri Zekës kanë ardhur shumë letra ngushëlluese, nga anë të ndryshme të botës, si nga Sydnei i Australisë, nga Nju Jorku i Amerikës etj. Në mesin e këtyre letrave www.pashtriku.org me këtë rast ka përzgjedhur për botim letrën e Feriz Kunushefcit, i cili ato ditë ishte prapa grilave - në burgun e Heilbronit.

 

     Ferizi në letrën e tij shkruan:

 

E DASHURA NANË SHQIPTARE

 

FERIZ KUNUSHEFCI

 

     E dashura Nané Shqiptare.

     Ket leter poe shkruej edhe deshiroj ngushllime te thella per djemt e juej si e dhan jeten per vendlindje edhe per popullin Shqiptar. Mos u merzit hiq se djemt e juej jeten e kan dhan edhe nuk jan ma ne mesin e familjes se vet. Trupi i tyre ka vdek, por vepra e tyne edhe puna e tyne per popullin shqiptar kurr nuk ka me vdek. Banu e fort edhe thuej: Djemt e mij nuk jan dek por kan lind, se jan dek per Atdhe per popullin shqiptar. Anmiku popullin shqiptar nuk mund mei tut me pushk. Djemt e juej jan Heroja ata nuk jan dek ne krevet por tue punue edhe tue u mundue dit e nat per neve te gjithve shqiptarve. Djemt e tu i ka njoft bota edhe i njef. Djemt e juej nuk vdesin kurr sikur Skender Beu edhe Bajram Curri ata nuk vdesin por jan met neper zemrat e qdo njenit shqiptar. Mos qaj e mos u merzit se qdo Nané nuk munet me marue asi djemsh! Une Adresin e juej nuk e di por familjen e juej e njef bota tash se e kan dhan jeten vllaznit per popull shqiptar. Une kit leter pi shkruej se me ardh meu pa per kit vdekje nuk muj se une jam ne burg ne Heilbronn. Vetem zemra po me qan per ata dy trima tu edhe per at shokun apo mikun e djemve tu. Banu e fort edhe zemer guri se djemt tu nuk jan vdek po jan lind se e kan dhan jeten per popull te vet e jo per veti. Vllaznit: Isufin dhe Bardhin i kemi humb por ata na e kan lan ni veper edhe ni pun edhe jan vdek me ftyr edhe per popull edhe kan mbet ne zemrat tona gjithmon oj nané. Tash po i dha fund edhe mos u mërzit ti as familja e juej hiq se per kto pun nuk mun des gjithkush oj nané shqiptare.

Feriz Kunushefci

Nga burgu i Heilbronnit

 

 

....

( Moderatori i www.pashtriku.org, Janar 2011 )

 

30 vjet nga dalja në skenë e Jusuf Gërvallës

 

A K T I V I T E T I

PUBLICISTIK I JUSUF GËRVALLËS

     Dihet mirëfilli se shkuarja e Jusuf Gërvallës në Gjermani (dhjetor 1979) bëri jehon të madhe si në Kosovë ashtu edhe në shtetet perëndimore ku vepronin grupe të organizuara shqiptare. Jusufi, qysh në ditët e para të vendosjes në Gjermani nis aktivitetin e tij politik. Siç kemi theksuar edhe në publikimet e kaluara, në janar 1980 Jusuf Gërvalla me ndihmën e Bardhit (vëllait të tij) kishte kontaktuar me organizatën “Amnesty International” ku e njofton për arrestimet e fundvitit 1979 në Kosovë, dhe ndërkohë shkruan edhe një artikull prej 13 faqesh, për revistën e njohur ”Der Spiegel”, lidhur me këtë çështje. Ndërkaq sa i përket kontakteve me grupimet e organizuara shqiptare, Jusufi (në fillim të vitit 1980) për herë të parë takohet me veprimtarin e Frontit të Kuq Popullor z. Ibrahim Kelmendi, dhe me këtë rast me kërkesën e Kelmendit, ai do të angazhohet me përkushtim në përgatitjen e gazetës ”Bashkimi”. Ndonëse numrin e parë të ”Bashkimi’t”, e kishte botuar Ibrahimi në verën e vitit 1979, tre numrat tjerë u botuan nën përkujdesjen e Jusufit. Në shkurt 1980, doli numri i 2’të i “Bashkimit”, në maj 1980 numri i 3’të, ndërsa në janar 1981 u botua numri i 4’të, dhe i fundit.

     Në vazhdën e punës së tij, Jusufi në verën e vitit 1980 përgatit nxjerrjen e gazetës “Lajmëtari i Lirisë”. Numri i parë i “Lajmëtarit...” doli në gusht 1980, në tetor numri i 2’të, ndërsa në janar të vitit 1981 u botua numri i 3’të dhe i fundit. Në tetor të vitit 1980, (dy muaj pas daljes së numrit të parë të “Lajmëtarit të lirisë”), në Zvicër Kadri Zeka së bashku me Hydajet Hysenin (Hyseni atë vit kishte dalur jashtë dhe në Kosovë do të hyjë pas demonstratave të 26 marsit 1981) përgatisin dhe e botojnë numrin e parë të gazetës “Liria”, organ i OMLK’së. Ndërkaq numri i 2’të i gazetës ”Liria” del në dhjetor 1980, numri i 3’të në maj 1981, numri 4 - 5 në korrik’ gusht 1981, dhe numri 6’të (i fundit) botohet në dhjetor 1981. Jusuf Gërvalla e ka mirëpritur daljen e gazetës ”Liria”, dhe pasi ishte njohur me Kadri Zekën, (kah mesi i shkurtit 1981), ka filluar ta ndihmonte ”Lirinë” me shkrime por dhe në aspektin teknik - radhitjen dhe punën grafike për botimin e saj. Madje Jusufi, ka angazhuar edhe veprimtarin Haxhi Berisha nga Prapaqani, që t’i dërgonte mijëra ekzemplarë të nr. 4 - 5 të ”Lirisë” në Kosovë.

     Sa i përket publikimeve, Jusufi në numrin e 3’të të gazetës ”Liria” (maj 1981), ka botuar artikullin ”Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u bë nën hijen e tankeve”, ndërsa në numrin 4 - 5 (korrik’gusht 1981), ka botuar poezinë ”Shqipja bën edhe pa gjëmë, i mjafton lavdia”. Në shtator 1981, derisa ishin shtruar tezat e Frontit për Republikën e Kosovës, me të cilat ishte pajtuar plotësisht Jusuf Gërvalla, (për çka dhe u mbajtën bisedimet e para, në javën e parë të tetorit në Stamboll, për Bashkimin e dy organizatave LNÇKVSHJ-OMLK), në nëntor 1981Jusufi boton numrin e parë të gazetës ”Zëri i Kosovës”, kurse numrin e dytë  e nxjerrë në janar 1982, pak para atentatit ndaj tij, Bardhit dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë. Pra, siç duket më lartë, Jusuf Gërvalla me përkushtim të madh ka punuar në nxjerrjen e 11 numrave të gazetave;

-          “Bashkimi”: nr.2 - shkurt 1980, nr.3 - maj 1980, nr.4 - janar 1981,

-          “Lajmëtari i lirisë”: nr.1 - gusht 1980, nr.2 - tetor 1980, nr.3 - janar 1981,

-          “Liria”: nr. 3 - maj 1981, nr. 4-5 korrik’gusht 1981, dhe

-          “Zëri i Kosovës”: nr.1 - nëntor 1981 dhe nr.2 -  janar 1982.

 

*   *   *

     Në rrjedhën e botimit të shkrimeve të Jusuf Gërvallës (me rastin e 30 vjetorit të daljes së tij në skenë), faqja www.pashtriku.org në vijim boton artikullin: ”Bashkjetesa” e Xhelatit me viktimën”, botuar në nr.4 të gazetës Bashkimi (janar 1981). Në këtë artikull Jusuf Gërvalla, duke ju kundërvënë revistës ”NIN” të Beogradit, e cila shtron çështjen e bashkjetesës së popujve të Jugosllavisë në federatën jugosllave, ka theksuar se, për popullin shqiptar ”Kjo "bashkjetesë" është e dhunshme dhe e paligjshme, sepse viset shqiptare në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi janë vise shqiptare, që trungut të përbashkët shqiptar iu shkëputën në mënyrë të paligjshme, në kushte të errëta historike dhe kundër vullnetit të popullsisë vendëse shqiptare.”

     Këto viset të etnikumit shqiptar edhe sot, pas 30 vjetësh janë kështu të ndarë e të copëzuar brenda vetes, madje nuk dallon shumë as gjuha politike e përdorur para 30 vjetësh nga gjuha e sotme politike që përdorin politikanët tanë.

 

     P.Sh. Sot politikanët e Kosovës thonë se: “Kosova është vend i të gjithëve, vend i paqes, stabilitetit, i tolerancës, i bashkjetesës, vend multietnik dhe i perspektivës për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian„… ndërsa para 30 vjetësh soji i Fadil Hoxhës, Sinan Hasanit, Ali Shukriut, Mahmut Bakallit, Azem Vllasit etj., si papagaj përsëritnin slloganin se „Jugosllavia është vend i të gjitha kombeve dhe kombësive, vend  i paqes dhe i stabilitetit në rajon e më gjerë, vend i bashkëjetesës, i vëllazërim - bashkimit, vend model dhe i perspektivës në shtetet e painkuadruara“ etj etj. Në këtë kontekst mund të nxirret edhe një analogji tjetër shumë domethënëse, në rrafshin politik. Derisa para 30 vjetësh, institucionet e Kosovës me besnikëri zbatonin „Platformën politike të KQ të LKJ’së për zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkjetesës në Kosovë“ e cila më 17 nëntor 1981 ishte miratuar në Mbledhjen e XXII’të të KQ të LKJ’së në Beograd, sot - pas 30 vjetësh institucionet e Kosovës me besnikëri të patundur zbatojnë platformën politike-juridike të quajtrur „Pako e Ahtisaarit“, e shndërruar tashmë në Kushtetutë, ku Kosovën e definon si vend i multietnicitetit (me 95 % shqiptar!!!) dhe të copëzuar përmes zonave të veçanta eksterritoriale dhe decentralizimit etnik!

 

*   *   *

     Jusuf Gërvalla, duke u nisur nga disa premisa jetës së rëndë ekonomike, politike e shoqëror të popullit shqiptar në Kosovë në raport me popujt tjerë (në shkrim merrë shembullin e mirëqenjes në raport me Slloveninë) konkludon se kjo "bashkjetesë", s'është gjë tjetër pos bashkjetesë e xhelatit me viktimën.

( Moderatori i pashtriku.org, 26. 07. 20010 )

 

 

"BASHKJETESA" E XHELATIT ME VIKTIMËN

Nga Jusuf Gërvalla

     Revista "NIN" e Beogradit, nëpërmjet intervistash me funksionarë të lartë shtetërorë, nga numri në numër po e shtron çështjen e bashkjetesës së popujve të Jugosllavisë në federatën jugosllave. Natyrisht, ndonëse ky paraqet një hap të çuditshëm të kësaj reviste, pas të cilit mund të supozohet se qëndron kryekëput qeveria dhe i cili sigurisht fsheh ndonjë qëllim tinëzar, s'ka kurrfarë "rreziku" se mund të pyeten popujt e Jugosllavisë se a duan dhe a e duan fare ata "bashkjetesë". Sa për popullin shqiptar, e sidomos për pararojën e tij patriotike dhe revolucionare, nuk shtrohet fare çështja e bashkjetesës me popujt e tjerë në kuadër të kufijve administrativë të Jugosllavisë. Kjo "bashkjetesë" është e dhunshme dhe e paligjshme, sepse viset shqiptare në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi janë vise shqiptare, që trungut të përbashkët shqiptar iu shkëputën në mënyrë të paligjshme, në kushte të errëta historike dhe kundër vullnetit të popullsisë vendëse shqiptare. Që nga fillimi i këtij akti barbar, të kryer në fillim të shekullit tonë dhe të përsëritur edhe njëherë pas Luftës II botërore nga fuqitë e mëdha e nga forcat më të errëta jugosllave, mbi popullsinë tonë u ushtrua politika e asimilimit dhe e gjenocidit. Dhe që atëherë, politikës së tillë barbare, populli ynë iu përgjegj me një rezistencë të pandërprerë. Aktualisht, rezistenca e fuqishme por spontane e popullit tonë, përditë e më shumë po merrë përmasa të një lëvizjeje të organizuar, e cila nesër do të na çojë në luftën e përgjithshme çlirimtare - kombëtare e klasore dhe në bashkimin me vendin amë të shqiptarëve, Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Por, për t'iu treguar renegatëve dhe tradhtarëve të mëdhenj e të vegjël shqiptarë të të gjitha ngjyrave, që interesat jetike dhe aspiratat shekullore të popullit të vet i kanë shitur për një kockë të hedhur apo për një pozitë të mjerë në administratën revizioniste jugosllave, këtu poshtë po nxjerrim disa të dhëna nga premisat e jetës ekonomike, politike e shoqërore, që janë rrjedhim i kësaj "bashkjetese", e cila s'është gjë tjetër pos bashkëjetesë e xhelatit me viktimën.

KALIFORNIA E VOGËL BANGLADESH I MADH

     Po të nisemi nga rezervat natyrore të Kosovës, nga toka e saj cilësore dhe kushtet e favorshme klimatike e gjeografike, Kosova, me një trajtim të barabartë ekonomik, do të kish qenë ndër viset më të zhvilluara në gjithë territorin administrativo-politik të Jugosllavisë. Kosova plotëson 64 % të të gjitha rezervave jugosllave të thëngjill-linjitit, 57 % të rezervave të plumbit dhe zinkut, 24% të rezervave të hekur-nikelit, 30% të të gjithë energjisë elektrike etj. Në Kosovë gjenden gati të gjitha rezervat "jugosllave" të argjendit e të kromit dhe pjesa më e madhe e rezervave të arit.

     Për konfiguracionin e saj, raportin shumë të favorshëm të sipërfaqeve të punueshme të tokës ndaj atyre të papunueshme, me një bimësi të dendur etj., Kosova është bërë që moti me një emër të dytë të popullarizuar - Kalifornia e Ballkanit. Edhe popullsia e Krahinës sonë është jo thjeshtë një popullsi punëdashëse, po njëherit një popullsi, që siç i thonë fjalës, e ka pasur mall punën në plang e shtëpi të vet. Sot vullnetit të madh të kësaj popullsie i është shtuar edhe një potencial i madh i krahut të punës, me një strukturë gjithnjë më të volitshme arsimore, madje me ekspertë gati për të gjithë lëmenjtë e jetës.

     Po gjendja e tashme e saj, megjithatë është jashtëzakonisht e mjerueshme. Në saje të politikës diskriminuese e kolonialiste të Jugosllavisë, Krahina jonë ka mbetur regjioni më i pazhvilluar jo vetëm në Jugosllavi, po edhe ndër më të pazhvilluarit në botë. Rezervat natyrore të saj grabiten nga federata jugosllave në trajtë lëndësh të para dhe, pasi të jenë përpunuar në republikat industrialisht më të zhvilluara jugosllave, i shiten Kosovës me çmime të shumëfishuara. Përveç kësaj një rol minues për ekonominë kosovare luan politika diskriminuese e çmimeve. Lëndët e para të Kosovës, në tregun e brendshëm jugosllav shiten me çmime shumë më të ulëta se ato në tregun botëror. Vetë Kosova, prodhimet finale, të përpunuara në republikat e zhvilluara, i blen me çmime deri 124% më të larta se çmimet e tregut botëror.

     Në saje të kësaj politike diskriminuese bujqësia e Kosovës, me të cilën është e zënë pjesa më e madhe e popullsisë sonë aktive, ka mbetur në nivelin e një bujqësie ekstensive e me produktivitet jashtëzakonisht të ulët. Toka e punueshme, për shkak të masave të hershme e të vona administrativo-politike që ka marrë Jugosllavia për të bërë presion mbi popullsinë vendëse, është e coptuar në ngastra shumë të vogla. Në qoftë se në një të kaluar bujqësia siguronte për popullsinë kosovare punëdashëse një ekzistencë solide, ajo sot nuk ka si ta siguroj as kafshatën e gojës për pronarët e saj të imtë.

     Ndërkaq, puna në të ashtuquajturin sektor shoqëror, paraqitet edhe më ligsht për shqiptarin e Kosovës. Ky sektor ka një aftësi fare të vogël apsorbuese të fuqisë punëtore, gjithsej 6400 punëtorë të inkuadruar në vit (këto 3-4 vitet e fundit). Përballë ritmit të shpejtë në shtimin e krahut të ri të punës, shkalla e punësimit te ne kufizohet me papunësinë totale. Gjithë kjo ka pasur për pasojë një lëvizje të atillë të popullsisë së aftë për punë, e cila nuk mbahet mend për asnjë periudhë tjetër historike të Kosovës, madje emigrimet e popullsisë sonë thuaja se nuk kanë qenë më masive as në periudhat e shpërnguljeve të mëdha e të dhunshme për në Turqi.

A IA BËJMË KINSE PO BASHKJETOJMË

     Për të parë se sa është e arsyeshme, e leverdishme dhe e domosdoshme bashkëjetesa e shqiptarëve me popujt tjerë të mbërthyer brenda kufijve administrativo-politikë të Jugosllavisë revizioniste, po e bëjmë një krahasim të ndarjes së të ardhurave personale të punëtorëve në Republikën e Sllovenisë dhe në Kosovë. Tabela që po e botojmë këtu, është bërë sipas të dhënave të Entit Federativ Statistikor dhe paraqet gjendjen në muajin mars 1979. Në kohën në shqyrtim, Sllovenia kishte 1 milion e 826 mijë banorë, Kosova po aq, 1 milionë e 600 mijë. Por, në këtë kohë, numri i të inkuadruarëve në Slloveni, 780 mijë, ishte gati 5 herë më i madh se ai në Kosovë (167 mijë - fjala është për sektorin shoqëror). Punëtorët e Sllovenisë realizonin së bashku 5 miliardë e 38 milion e 878 mijë dinarë të rinj kurse ata të Kosovës vetëm 909 milion e 649 mijë dinarë, ose më se 6 herë më pak.

Punëtorët sipas lartësisë së të ardhurave personale - mars 1979

 

SLLOVENIA

KOSOVA

Të ardhurat personale

PUNËTORË

PUNËTORË

Deri në 3 000 dinarë

2 340 ose 0,3%

25 217 ose 15,1%

3 001 - 4 500

111 540 ose 14,3%

72 144 ose 43,2%

4 501 - 6 000

244 140 ose 31,3%

39 579 ose 23,7%

6 001 - 8 000

241 020 ose 30,9%

18 704 ose 11,2%

8 001 - 10 000

104 520 ose 13,45

7 014 ose 4,2%

Mbi 10 000 dinarë

76 440 ose 9,8 %

4 342 ose 2,6%

     Është jashtëzakonisht interesant të shohim se në çfarë përqindjeje paraqiten përkatësisht punëtorët e Sllovenisë dhe ata të Kosovës në ndarjen e të ardhurave të ulëta dhe rrogave të larta. Siç shihet edhe nga tabela, sa më e ulët të jetë shkalla e të ardhurave aq më e lartë është përqindja e punëtorëve kosovarë që marrin pjesë në ndarjen e tyre; dhe anasjelltas, sa më shumë të ngjitet shkalla e të ardhurave, aq më i vogël bëhet numri i punëtorëve që marrin pjesë në ndarjen e tyre (në Kosovë) dhe aq më i madh numri i punëtorëve të Sllovenisë, që i gëzojnë ato të ardhura të larta. Konkretisht, paga me lartësi deri në 3000 dinarë marrin vetëm 2340 punëtor sllovenë, ose 0,3% e të të gjithë të inkuadruarëve të kësaj republike, dhe 25 217 punëtorë kosovarë, ose 15,1% e të të gjithë të inkuadruarëve të Krahinës sonë. Nga 3000 -   4500 dinarë marrin 14,3% punëtorë sllovenë dhe 43,2% punëtorë kosovarë; nga 4500 - 6000 dinarë marrin 31,3% punëtorë sllovenë dhe 23,7% kosovarë; nga 6001-8000 dinarë marrin 30,9% sllovenë dhe 11,2% kosovarë; nga 8001-10000 dinarë 13,4% sllovenë dhe 4,2% kosovarë, dhe, mbi 10000 dinarë 9,8% sllovenë dhe vetëm 2,5% kosovarë. Kur kësaj t'ia shtojmë edhe faktin se papunësia në Kosovë është 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe absolutisht më e madhja në gjithë Jugosllavinë, atëherë bëhet e qartë se bashkëjetesa 68-vjeçare me popujt e Jugosllavisë ka qenë për ne, shqiptarët me banim në Jugosllavi, një nga periudhat tona më të vështira e më të rrezikshme për shfarosje të plotë.

TELALLI THOTË: BESOMË EDHE NË GËNJEFSHA

     Revizionistët jugosllavë, këta telallë absurd të "socializmit specifik", "mosangazhimit", "vëllazërim - bashkimit", "barazisë" së kombeve e kombësive, i shtrembërojnë në mënyrë drastike disa fakte vitale karshi opinionit të vendit dhe atij botëror. Ndër të tjera, atyre ua do puna të mos flasin kurrsesi me të dhëna reale kur është fjala për papunësinë në disa vise të caktuara, sidomos në Kosovë. Sipas kritereve, me të cilat vlerësohet problemi i papunësisë në shkallë jugosllave, del se numri më i madh i të papunëve është në Maqedoni, po edhe atje vetëm 5,7 për qind. Vendin e dytë e zë Serbia me 4,7 për qind të papunë, ndërkohë që në Kosovë, sipas këtyre kritereve, as qe ekziston problemi i papunësisë! Në Krahinën tonë, gjithnjë sipas këtyre kritereve, që as "Rilindja" revizioniste nuk durohet pa i quajtur "sa mashtruese, aq edhe joreale", të papunë qenkan vetëm 3,7 për qind.

   Ku është nxjerrë vallë ky 3,7 përqindësh famoz?! Ose, edhe përqindja e të papunëve në regjione tjera! Pasi, siç e pranon edhe vetë Enti Federativ i Statistikave, Jugosllavia zë një nga vendet e para në botë përnga shkalla e papunësisë. Këto "fakte" i kundërshton edhe vetë "Rilindja", duke u mbështetur, siç thotë, "në disa mjete tjera të informimit në Jugosllavi". "Po të vlerësohet papunësia me kritere reale, shkruan ajo, sipas një analize, del se papunësia në vend është 12 për qind, nërsa në Kosovë 27 për qind; në Bosnjë e Hercegovinë 13,5 për qind, në Maqedoni 21,3 për qind, në Serbi 11,9 për qind, e të tjera. Papunësia në Slloveni, 1,4 për qind, është njëzet herë më e vogël se ajo në Kosovë".  "Rilindjes" do t'ia dinim për nder sikur pas botimit të kësaj informate të qëndronte edhe më në të njejtën pozitë, atleti i mirë që nuk bien nën rekordin që e ka hedhur një herë. Mirëpo, sado që të dëshirojmë ne, kështu nuk ngjan. Medje, artikulli në fjalë na duket më shumë t'iu ketë përvjedhë redaktorëve, sesa të jetë botuar esëll. Megjithatë, autori i informatës në fjalë, e meriton një përkrahje prej nesh, sado që edhe ai ha ngapak në peshojë.

     Ja, pra, disa nga të dhënat për vitin 1978 që na ofron Enti Federativ i Statistikave dhe që na ndihmojnë t'i dalim krah gazetarit të "Rilindjes" dhe të vërtetën që e ka sheshuar ai. Më 1978, Kosova kishte përafërsisht 1 milion e 525 mijë banorë. 799 mijë, ose 52,4 për qind e popullsisë së përgjithshme ishin banorë të aftë për punë. 167 mijë veta, ose 11 për qind e popullsisë së përgjithshme ishin të inkuadruar në sektorin e ashtuquajtur shoqëror, kurse aktiv në të gjithë sektorët gjithë krahina kishte vetëm 387 mijë vetë, ose 25,4% të popullsisë së përgjithshme. Po t'u bsohet këtyre shifrave (më vonë do të shohim kundërthëniet e shumta që dalin prej tyre) atëherë del se më 1978 412 mijë banorë të aftë për punë kanë mbetur të papërfshirë në asnjë sektor të veprimtarisë. Dhe numri 412000 paraqet 27 për qind të popullsisë sonë të përgjithshme (1 milion e 525 mijë), e jo 3,7 për qind! Përveç kësaj, siç vë në dukje edhe vetë "Rilindja", te ne afro "140 000 vetë për çdo vjet bëhen krah i ri pune". Kurse ekonomia, me aftësinë e mjerë absorbuese të fuqisë punëtore, mund të çelë vende pune vetëm për 6400 vetë në vit (që nga viti 1977 e këtej). Del që, prej katër vjetësh e këtej, ushtrisë së të papunëve në Kosovë i janë shtuar deri më tash edhe nja katër njësite të mëdha me nga 133 600 banorë, që, bashkë me të papunët e vitit 1978, bëjnë jo më pak se 946 400 veta. Pra në vitin 1981, ne kosovarët po hyjmë me afro 1 milion të papunë!

     Në qoftë shtuar më 1980 popullsia e Kosovës sipas parashikimeve të Entit Federativ (se me çfarë saktësie i bënë parashikimet, mund të shihet edhe nga ky fakt. Në të njejtin publikim, "Kalendari Statistikor i RSFJ 1980", numri real i popullsisë së Sllovenisë figuron 1 626 000 banorë në vitin 1979, kurse i parashikuar i popullsisë së kësaj republike për vitin 1980, në vend që të jetë më i madh, figuron për 1000 banorë më i vogël, do të thotë - 1 625 000!), pra, në qoftë për t'u besuar këtyre "parashikimeve", atëherë fillimi i 81-shit e zë Kosovën me afro 1 592 000 banorë dhe vetëm me 179 000 të zënë në punë në të ashtuquajturin sektor shoqëror, ose me 11,3% e popullsisë. Një kosovar i zënë me punë në këtë sektor, do të ketë në kurriz mesatarisht 9 banorë (slloveni vetëm 1,7)! 3,7 përqindëshi që paraqitka sipas revizionistëve titistë, shkallën e papunësisë në Kosovë, duke "zëvendësuar" si me shkop magjik 30 përqindëshin, është nxjerrë nga 61 000 të papunët që kërkojnë punë nëpërmejt enteve të inkuadrimit. Dhe për këtë numër kapen, si i mbytyri për kashtë, revizionistët, kur duan të na e hedhin syve, neve dhe botës. Mëkot do të ngulë këmbë edhe një pjesë e shtypit revizionist sesi "një numër i madh i kosovarëve të papunë, për shkaqe subjektive e dobësi të ndryshme (ne do të themi për shkak të pritjes së gjatë e të pa shpresë - "Bashkimi"), nuk paraqiten fare në BVI-të gjegjëse". Kjo për ata nuk ka asnjë domethënie. Ata duan që ky numër të përmendet, numrin e sakt e dinë më mirë se ne vetë dhe kënaqen. Por, po vjen dita që kjo kënaqësi t'u mbetet në fyt dhe t'ua zërë frymën.

SHPËRBLIMI I TË KOLONIZUARIT PËR KOLONIZATORIN

     Kosovës i këcënohet rreziku nga një lëvizje e atillë e popullsisë, që pjesa e saj e aftë për punë - strukturalisht më e reja dhe biologjikisht më e shëndosha - të braktisë vendilindjen dhe të marrë masivisht rrugën e hidhur të kurbetit për në republikat e zhvilluara jugosllave, në Evropë e më larg. Në pozitë më të vështirë në këtë pikëpamje janë vetëm edhe viset shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi, për shkak të kompaktësisë më të vogël etnike të shqiptarëve në strukturën e përgjithshme të popullsive të këtyre republikave si dhe për shkak të masave edhe më të vështira administrativo-politike, të cilave u ekspozohen vlerat e përmendura shqiptare. Po t'u drejtohesh statistikave jugosllave lidhur me emigrimet e popullsisë sonë në cilëndo periudhë brenda këtyre 68 vjetëve robëri ato i fshehin faktet si gjarpëri këmbët. Ç'është e vërteta, numri 12 000 kosovarë të inkuadruar në republikat e Jugosllavisë e në botën e jashtme, nuk ka mundur të fshehet në asnjë mënyrë. Dhe ky numër, edhe po të jetë vetëm kaq, paraqet një shkallë shumë të lartë e të rrezikshme të emigrimit karshi numrit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, afro 10 për qind të popullsisë së aftë për punë. Por kjo shifër as që i afrohet numrit të vërtetë të kurbetçinjve "modernë" shqiptarë.

     "Bashkësia krahinore për inkuadrim përmes enteve të saj të inkuadrimit e mban njëfarë evidence për këta punëtorë, por vetëm për ata që më parë janë paraqitur në këto ente... Mirëpo një numër i madh i fuqisë punëtore punësohet në territoret e tjera të vendit përmes kanaleve të tjera, e sidomos me vetëiniciativën e tyre. Prandaj, ky numër i punëtorëve të tillë gjithnjë është më i madh nga ai që evidentohet në entet përkatëse." (Dr. Hivzi Islami, "Popullsia e Kosovës", Prishtinë 1980, f.123) Një shembull simptomatik lidhur me "objektivitetin" e të dhënave statistikore të këtyre enteve, na e ka dhënë po Dr. H. Islami në veprën e përmendur: "Derisa në vitin 1966 në tërë Slloveninë, sipas evidencës së shërbimeve krahinore të punësimit, ishin 217 punëtorë nga Kosova, vetëm në Lublanë në atë vit ishin të inkuadruar 676 punëtorë nga kjo Krahinë."

     Një shtrembërim i tillë i fakteve, me skandalozitetin që përmban në vete, nuk flet për lëshime të rastit, që nganjëherë mund të ndodhin edhe në statistikat më pedante. Përkundrazi, ai na shpie te një mjet sa perfid, aq edhe i preferuar i administratës jugosllave në drejtim të fshehjes së numrit të përgjithshëm të shqiptarëve me banim në Jugosllavi dhe të gjitha të dhënave që e tregojnë në mënyrë reale gjendjen e mjeruar të popullsisë sonë të përfshirë me dhunë brenda kufijve administrativo-politik të këtij armiku të përbetuar të farës sonë.

     Këtë shtrembërim faktesh, revizionistët e realizojnë me mjeshtëri edhe në saje të përvojës më të hershme jugosllave në këtë drejtim. Edhe qëllimi kryesor mbetet po ai që ishte para 68 vjetësh; me plane të ngritura në shkallë shtetërore, viseve shqiptare nën pushtetin, viseve shqiptare nën pushtetin administrativo-politik të Jugosllavisë t'u ndërrohet në rrënjë struktura kombëtare. Për këtë qëllim u ndoqën mes dy luftrave botërore dhe pas Luftës II botërore më se 600 mijë shqiptarë dhe në vend të tyre u sollën në këto vise shumë e shumë kolonë të kombësive serbe e malazeze, e tani së fundi po sillen edhe maqedon nga Greqia. Dhe pikërisht për këtë qëllim po u jepet edhe sot rruga e mërgimit "ekonomik" shqiptarëve të robëruar. Ata i mban shpresa se edhe me trojet tjera shqiptare do të ngjajë ashtu siç ka ngjarë me Prespën dhe Ulqinin, banorët e të cilëve, për shkak të presionit ekonomik dhe politik, i kanë braktisur gati përgjithmonë vatrat e veta dhe kanë marrë në sy Amerikën e Australinë.

     Natyrisht, është e tepërt dhe gati banale t'u thuhet revizionistëve gjakpirës jugosllav se këto shpresa të tyre nuk janë gjë tjetër pos qep me ujë. Mbi të gjitha, ndërsa është arritur që ata të pranojnë cilësimin e shpërnguljeve të mëdha për në Turqi si migrime politike, përkatësisht të terrorit dhe të dhunës, ata i propagandojnë migrimet e sotme të shqiptarëve thjeshtë si një dukuri të rëndomtë ekonomike, të parrezikshme, madje edhe të dobishme, duke i lidhur këto migrime me gjoja inkuadrimin e Jugosllavisë në "ndarjen ndërkombëtare të punës". Po dokrrat e tilla nuk pinë ujë te populli ynë i shumëvuajtur. Pararoja patriotiko-revolucionare e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare e di mirë se ne, për aq sa është çështje politike - bile e një politike diskriminuese që kufizohet me fashizmin e racizmin - niveli jashtëzakonisht i ulët i zhvillimit ekonomik të viseve shiptare, aq është politike edhe çështja e emigrimeve të sotme, që janë pasojë e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme e diskriminimit të tillë. Dhe, e gjithë kjo s'është gjë tjetër përveç aplikim i mjeteve të reja "bashkëkohore" për sendërtimin e qëllimeve të vjetra kolonialiste e asimiluese.

     Dhe ne, ja ku u premtojmë se do t'i shpërblejmë pikërisht ashtu si i ka hije të kolonizuarit ta shpërblej kolonzatorin: me zjarrin e fuqishëm të dekolonizimit dhe të çlirimit kombëtar. Dhe le ta shqyrtojnë ata vetmevete jerm çështjen se ç'të mira mund të dalin nga "bashkjetesa" që na e ofrojnë në këmbim të lirisë së rrëmbyer.

( Marrë nga numri i fundit i gazetës "Bashkimi" - Nr.4 Janar 1981)

Kopja e shkrimit të Jusuf Gërvallës, botuar në nr.4. të gazetës „Bashkimi“ (Janar 1981)

 

 

JUSUF GËRVALLA:

TRADHTARËT E VJETËR DHE TRADHTARËT E RINJ

 

Faqja e parë e gazetës ”Bashkimi”, Janar 1981

 

 

30 vjet nga dalja në skenë e Jusuf Gërvallës

 

FAQJA POETIKE NË REVISTAT E JUSUF GËRVALLËS

 

     Jusuf Gërvalla është një figurë monumentale e Kombit tonë. Përveçse atdhetar dhe drejtues i organizatës LNÇKVSHJ, Jusufi ishte edhe krijues i përsosur. Ai i takon brezit të tretë të krijuesve të poezisë së sotme shqipe. Në këtë brez Jusuf Gërvalla, sikur edhe pak krijues të artit poetik, do të hyjë jo thjesht si krijues i artit letrar, por edhe si individualitet me prirje të shumanshme kulturore e intelektuale. Prandaj, në rrethet kulturore në përgjithësi dhe në ato letrare në veçanti, Jusuf Gërvalla është krijues i pranuar në shumë fusha: publicist, interpretues, përkthyes, prozator e poet.

     Në Kosovë Jusufi ka botuar tri përmbledhje me poezi: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978) dhe Shenjat e Shenjta (1979). Edhe pas arratisjes nga Kosova Jusufi vazhdon të shkruaj poezi, por në gazetat e tij apo në ato gazeta të redaktuara nga ai nuk e boton asnjë poezi të vetën. E vetmja poezi e Jusuf Gërvallës që është botuar në revistat e kohës është poezia "SHQIPJA BËN EDHE PA GJËMË, I MJAFTON LAVDIA" e botuar në revistën "Liria", nr. 4-5, gusht 1981, faqe 23. Revistën "Liria" Jusufi e ka ndihmuar me të gjitha mënyrat por, nuk ka qenë redaktor i saj. Kjo poezi është zgjedhur për botim nga bashkëveprimtari i tij Kadri Zeka.

     Jusuf Gërvalla në rubrikën ”Këndi poetik” të revistave të tij, ka botuar poezi të autorëve: Abdyl Latif Arnauti (Siri), Tahsin Saraçi (Turqi), Ulmar Qvicku (Suedi), Petraq Risto, Çajupit, Hydajet Hysenit, Isamil Sylës, Ismail Kadaresë etj. Në gazetën ”Bashkimi” ka disa poetë tjerë që nuk përmenden këtu. Nga të gjithë poetët shqiptar, Jusuf Gërvalla, hapësirë më të madhe në revistën ”Lajmëtari i lirisë” i ka dhënë poetit Ndoc Gjetja.

Poeti Ndoc Gjetja

     Poeti Ndoc Gjetja është ndarë nga jeta më 7 qershor 2010, në moshën 66-vjeçare. Vdekja e parakohshme e poetit erdhi për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ai u lind më 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur në vitin 1971. Kishte botuar vëllimin e parë poetik "Rrezatim", pastaj erdhën gjashtë të tjerë: "Shqiponja rreh krahët" (1975), "Qëndresa" (1977), "E përditshme" (1982), "Çaste" (1984), "Poezi" (1987), "Kthimet" (1991) dhe "Dhjata ime" (1998). Poeti Gjetja dikur do të thoshte: "Edhe pse kam botuar shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm, që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj." Studiuesit e kanë cilësuar Gjetjën si  poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit dhe prandaj jo pa qëllim e kanë quajtur ”poet humanist”. Kjo përmasë në poezinë e tij rri pa zhurmë dhe me dinjitet në rendin e poezisë bashkëkohore shqipe. Për më tepër Ndoc Gjetja konsiderohet si një nga poetët më origjinalë shqiptarë.

 

Lajmëtari i lirisë, nr.1, gusht 1980

     Në shenj nderimi për Ndoc Gjetjen, faqja www.pashtriku.org i ka shkëputur katër poezi nga revista ”Lajmëtari i lirisë”, për t’iu bërë jehonë fjalëve të këtij poeti të madh, në të njejtën përmasë, siç ka bërë Jusuf Gërvalla para 30 vitesh.              (Pashtriku.org - 26. 06. 2010)

MË KISHIN ARDHUR NJERËZIT

 

Para ca vitesh isha sëmurë

i kisha humbur ndjenjat fare

dhe tek krevati m'u duk sikur

më erdhi ajo, armikja e të gjallëve.

 

Në dhomën me heshtje të rëndë

lëvizte me çapa të pandjerë

sikur më tha: - Ngreu në këmbë!

Po të fal dhe kësaj herë.

 

Ajo priste që t'i thosha

por s'i thash: - Falemnderit!

Unë u ngrita se te koka

më kishin ardhur njerëzit.

 

UNË SHTËPINË E KAM TË FALA ”SHOK”

 

Më kanë ardhur kaq telegrame

"Lajmëro shëndetin"

nga shokë të largët pas tërmetit.

Me këta vargje desha t'u përgjigjem:

"Ju paça të gjithëve, falemnderit!"

 

Shtëpia u rrëzua, shumë gjëra u prishën

por nga kjo s'e pata vështirë

se unë prej kohësh e kisha hyrjen

te zemra juaj, njerëz të mirë.

 

Sa njerëz më erdhën tek çadra sot!

Prit e përcjell më kaloi gjithë dita,

unë shtëpinë e kam te fjala "Shok",

me themele në zemra e me çati prej drite.

 

Ja, rri e mendoj me vete sonte:

me shumë gjëra në jetë jam ngopur

por asnjë herë dashuria e shokëve

të më teprojë s'më ka ndodhur.

 

Se gjithçka në botë ka një madhësi,

mbushet me diçka dhe nuk nxë më tepër

por njeriu kur s'u mbushka me njeri

dhe universin  mund ta nxërë në zemër.

 

Gjyshit tim

Gjithë jetën e kaloi me një martinë hedhur krahut duke luftuar mal më mal kundër zaptuesve. Ka qenë 93 vjeç kur e rrëmbyen armiqtë natën në kullë dhe s'u kthye më. Nuk dihet se ku e kanë vrarë dhe as kufomën nuk ia gjetë njeri.

 

NGA NJË GOJËDHANË

 

Jeta e gjyshit - një gojëdhanë

një gojëdhanë me tridhjetë fjalë

se fjalët e tjera i kanë rënë

rrokje-rrokje nga një këngë,

se s'është lehtë njëqind vjet

të trokasësh nëpër zemra,

të hysh në to dhe të bëhesh

fjalë që digjet nëpër breza.

 

Vallë ku mbin gjithë ato fjalë

që i patë folë kur ishte gjallë

se fjalët e gjyshave janë si farat

që çajnë plisin në pranverë,

nëpër zemra lëshojnë rrënjë,

ato mbijnë e nuk lënë

jetën kur të mbetet djerrë.

 

Në ato fjalë si thelbi në farë

është përkdhelja edhe puthja,

është martina edhe lahuta,

është Shqipëria me gjithë hallet

dhe ajo e bardhja bjeshkë

kokrra e misërit, Besa e Dhënë

më të shenjtë se zoti vetë.

 

More gjysh, Ulisi i Bjeshkëve!

Askërkund s'ta gjeta varrin,

gjithkah brodha vërri e më vërri,

pyeta hënën e s'mu përgjegj,

pyeta përrenjtë e nuk u ndalën,

pyeta diellin e tha: Nuk di!

 

Më në fund thash me vete:

Bjeshka e Namun me shtatë male

ngrihet sot mbi eshtra të gjyshit

Bjeshka e Namun me shtatë maja

që tallin e sfidojnë

piramidat e Egjyptit.

 

Si t'i shtyj shtresat e tokës,

si t'i shtyj shtresat e kohës

si t'i ngrej malet e Bjeshkës

të ta gjej thelbin e zemrës

se ty mali të ka marrë

të të hedh një tufë me fjalë

të të hedh një degëz ahu,

të të hedhë një hingëllim kali,

të të hedhë ca hala pishe,

të të sjellë një djep fëmije

të shohësh jetën si lëvizë

nëpër rrembat e Shqipërisë...

 

Qëkur vdiqe more gjysh

njëqind vjetë kanë kaluar

e ti s'mundesh që ta dish

se sa shumë që ka ndryshuar

faqja e jetës dhe faqja e botës

po të ngjallesh tre dekika

tre dekika ta shikosh

nuk besoj se do ta njohësh.

 

Ngreu e shih fillin e lëmshit

që është lidhur nyje-nyje

në tavolinë të supershtetit,

në politikën e të gjithë krajlive,

janë bërë një rrahja e puthja,

janë bërë një paqja e lufta,

janë bërë një tregu e miqësia,

janë bërë një burgu e liria,

janë bërë një gjoksi e shpina...

 

Të dhëmb syri dhe zemra

kur sheh bankat "Nëna e bija"

mbushë me letra që vlerësohen

shumë më tepër se burrëria,

shumë më tepër se atdheu

shumë më tepër se fytyra,

kur sheh urat që montohen

me gjymtyrë e kafka kombesh

ku kalojnë tanket e jankit

edhe trenat e Moskovit.

 

Për ta gjetur të vërtetën

duhet sot t'i kthesh përmbys

shtatëmijë male ngritë me letra

ngritur shkronjën përmbi shkronjë

dhe çdo fjalë ta thyesh si arrën

mos ka brenda varrin tonë.

 

Larg nga detet dhe kontinentet

nga sarajet e krajlive

vijnë ca zëra si përkdhelje,

vijnë ca zëra si gjëmime

Ç'janë sirenat e Uliksit

more gjysh përpara tyre?

 

Si gra të lëshueme propagandat

nëpër udhë të botës ecin

në buzëqeshje fshehin prangat,

fshehin thikën brenda fjalës.

Disa thonë: - Çaj përmes!

Disa thonë: - Bjeri anës!

 

Na u dashka t'i thuash vetes

ndizu flakë e digje trupin,

me kurriz s'fiton asgjë,

rënë në gjunjë të ha poshtrimi

të kafshon me dhëmbë prej qeni,

më mirë luftës jepja gjoksin

në llogore ta haj plumbi.

 

Krejt si njerëzit edhe kombet!

Nga kurrizi u vjen vdekja

rënë në gjunjë humbin veten

u zbret qyqja në thelb të zemrës

mbi shpinëkrrusjen vjen mandata,

më mirë flakë ta ndezin shtatin

dhe në dorë t'u shkrihet shpata.

 

Po shekullit tim e rrugës sime

në mos i shkofsha për midis

në mos vdeksha për këto vërrie

mos arritsha të bëhem gjysh!

 

Gjakun tim te udha e jetës

pika-pika e piftë dheu

gjithsaherë t'i thahet buza

gjithsaherë ta marrë etja

e iu bëftë shëndet e gëzim

u bëftë lule, gjesh e bar

u bëftë rrita e Shqipërisë,

zë fëmije ndër pelena!

 

Këto poezi janë marrë nga "Lajmëtari i lirisë", nr.1, gusht 1980

 

TE GRYKA E HONIT KU PREHEN ESHTRAT E AZEMIT

 

Iu afrova grykës së honit,

ia ngula sytë heshtjes, territ

dhe s'di pse zemrës brenda gjoksit

iu dha t'i thërrasë Azemit.

 

- A po më ndien, o Azem Galica? -

thirra ndoshta nj¨qind herë.

Një shqiponjë doli nga gryka,

me tërsëllimë u ngrit në qiell.

 

I thash vetes: Mos thirrë më!

Se Azem Galica doli.

 

Marrë nga "Lajmëtari i lirisë", Nr. 1, janar - shkurt 1981

 

 JUSUF GËRVALLA ODISEU DHE BEKIMI I NËNËS

 

 

Odiseu

është i thjeshtë çdo fillim

duket se bie si yll në malin tuaj

duket se frynë edhe bënë furtunë

as sqota pulëbardhat i trembë

është një zjarr tjetër si uji

që rrjedh

2.

nën tokë

dhe tekdo që ta kërkosh e gjen

s'ka në dorë as shpatë as lule, çudi

bredh e bredh kudo e thotë

"e vogël është kjo botë".

Bekimi i  NËNËS

le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish

bari i zverdhur fare le të jetë

nën çatitë e kullës le të pikoj shi

le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi

le t'i marrë lumi urat e trerët le të thyhen

në cung le të ketë një shtëpi për dru

lulet e verës le t'i ketë prerë me barë kostari le të ftohet

ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet.

Marrë nga libri i parë me poezi ”Fluturojnë e bien” i Jusuf Gërvallës, i botuar më 1975.

 

 

 

VEPRIMTARËT E VITIT 1981 RRËFANË LIRIE PËR SHQIPTARËT

 

     Libri  i autorit Ismet Rashiti, me titull, "Rrëfanë lirie" i kushtohet veprimtarëve kryesor që organizuan demonstratat e para të vitit 1981 në Zvicër. Redaktorë  të librit janë Xhafer Shatri dhe Saime Isufi, dy nga njohësit më të mirë të lëvizjes politike në periudhën për të cilën bëhet fjalë. Në fillim paraqiten në mënyrë të hollësishme kontaktet e drejtpërdrejta të autorit me veprimtarët e vitit 1981, përkatësisht organizatorët e demonstratave të këti viti historik në Zvicër të udhëhequra nga Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi. Në libër janë përfshirë 38 portrete veprimtarësh të asaj periudhe, dy prej të cilëve janë zviceran, Beat Schafer dhe Kathrin Asal të cilët bënë kërkesën zyrtare për demonstratën e parë të mbajtur më 11 prill 1981 në Bern. Përmes kësaj demonstrate bashkatdhetarët tanë në Zvicër për herë të parë dolën përkrah kërkesave gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Brenda kopertinave të këtij libri me titull mjaft domethënës "Rrëfanë lirie" është paraqitur deri në hollësi mënyra e organizimit të demonstratave të vitit 1981 në Zvicër, shkëputja e klubeve të punëtorëve shqiptarë nga ambasadat ish’jugosllave dhe formimi i klubeve krejtësisht të pavarura shqiptare të cilat në mënyrë të hapur kërkonin statusin e Republikës së Kosovës. Paraqitja e portreteve të kësaj  gjenerate  e cila me të drejtë është quajtur "brezi i artë i vitit 1981", është bërë në mënyrë krejt origjinale, ashtu siç kanë qenë në të vërtetë: Njerëz të thjeshtë, të përkushtuar e me ideale të pathyeshme për realizimin e kërkesës  Kosova Republikë. Kjo për arsye se autori ka qenë vet njëri ndër protogonistët kryesor të atyre  ngjarjeve të vrullshme të atij viti. Në fund të librit është vendosur pasfjala e publicistit, Shaip Beqiri, i cili në mënyrë të gjithanshme ka përbledhur rëndësinë dhe qëllimin e këtij libri, i cili u botua me rastin e 29-vjetorit të demonstratës së parë të organizuar në Bern më datën 11 prill 1981.  Librin e botoi "Kombi", Prishtinë, 2010. Me këtë rast pasfjalën e z. Beqiri e botojmë në www.pashtriku.org.

 

Pasfjalë e publicistit Shaip Beqiri

 

KUNDËR PLUHURIT TË ÇFARËDO HARRESE

 

Pasfjalë e librit të Ismet Rashitit: “Rrëfanë lirie”, botoi “Kombi”, Prishtinë, 2010 

 

     Vërshimi i publicistikës në kapërcyell të mileniumëve tanë u bë me përmasa të pabesueshme në letrat shqipe. Ai përfshiu çdo fushë të krijimtarisë ndër ne, sa u bë pothuaj e pamundur çfarëdo dalje këndellëse prej një klime të tillë të egërsuar qoftë edhe për të marrë pak frymë. E keqja e madhe e gjithë këtij vërshimi nuk është rrëmeti i tij, përmbytja e gjithanshme, tejmjaftësia e teprimi në aspektin sall të sasisë plotësisht mbizotëruese mbi çdo gjë tjetër të shkruar si dëshmi e një kohe dramatike, sa të mbulohet e të bëhet pothuaj e pabesueshme edhe ndonjë gjë me vlerë. Të mos flas për të këqija të tjera të vogla. Ndërkaq humbja e ndjenjës për të vërtetën në tërë këtë shkrimnajë pa fund e krye, që i ngjan udhëtimit të pashpresë nëpër shkretëtirën që s`ia sheh dot skajin, pa kurrfarë busulle me vete, e bën të shqueshme nga larg çdo vlerë që del në dritë dhe nxë vendin e oazës në një shtegtim kaq të vështirë.

Kopertina e librit “Rrëfanë lirie” - Autor: Ismet Rashiti

     Publicistikën ndër ne sot e shkruan dhe e shpërndan gjithandej kushdo. Në varganët e saj janë futur prej kohësh aq shumë pena hileqare e të shpifura, sa kanë arritur ta bëjnë atë edhe të neveritshme dhe pa kurrfarë dobie e niveli. Kjo shkrimurinë kaq lehtësisht e manipulueshme, ndonëse në të parë lë përshtypjen e një trajte të lehtë shkrimi, ndërkaq në të vërtetë ajo është më e vështira pikërisht për faktin se ndodhet gjithnjë para portave të letërsisë dhe të historisë në të njëjtën kohë. Duke pleksur brenda vetes dy veçori kaq të rëndësishme, siç është dëshmia historike dhe bukuria letrare, ky lloj i shkrimit edhe kultivohet kaq shumë, por mjerisht edhe më shumë keqpërdoret.

     Këtë lloj fatkeq shkrimi sot e kultivojnë pothuaj të gjithë, ndër të cilët ka jo pak autorë me të kaluar të kriminalizuar, shërbëtorë të verbër e të egër pushetesh shtypëse dhe ata me të kaluar të dyshimtë, në njërën anë; por edhe autorë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me të parët, përveç nëse janë ndodhur nën forcën e dhunës së të lartpërmendurve, në anën tjetër. Të parët duan të lajnë mëkate të veta të mëdha, të përftojnë hutesa të rrezikshme, duke i projektuar ato si dëshmi të shkruara, të cilat, siç shpresojnë jo krejt kot ata, ndonjëherë edhe mund të bëjnë ndonjë ndikim jo të vogël në shkrimin e historisë së një periudhe shumë dinamike të kombit shqiptar.

     Ismet Rashiti bën pjesë midis këtyre të dytëve. Ai ka marrë përsipër të bëjë një libër dëshmie autentike për njërën ndër periudhat më të rëndësishme të kohës së lëvizjes së madhe atdhetare për lirinë kombëtare të pjesës së robëruar të tokave shqiptare nën thundrën sllave. Heronjtë e librit të Ismet Rashitit janë të zhveshur aureolash të çfarëdo himnizimi të kotë; ata ecin nëpër tokën e tyre edhe kur e kanë të ndaluar një gjë të tillë, duke rrezikuar edhe vetë jetën, sepse peshën e saj e bartin gjithnjë në shpinë e në shpirt. Dhe askush nuk mund të njohë fuqinë e madhe që mbrun brenda vetes kjo çetë flijimtarësh shqiptarë pa i njohur me hollësi e në thellësi andrallat e tyre të vërteta që lidhen plotësisht vetëm me idealin e pashuar të lirisë kombëtare, të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor

Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadr Zeka

     Ismet Rashiti në këtë libër rreket të bëjë kronikën e vështirë të një kohe përplot drama që kundërshtohen ashpërsisht njëra me tjetrën, sa për çudi ato edhe përplotësohen duke u ndodhur tepër afër njëra tjetrës. Ky hark kohe zë fill me përplasjen e një tabakaje me pjata në mensën e studentëve më 11 mars 1981 në Prishtinë dhe përfundon me dëbimin përfundimtar të forcave gjakatare ushtarake-policore serbe nga Kosova më 12 qershor 1999. Kjo është përvija e kohës së këtij libri shumë të veçantë të kësaj fushe krijuese kaq të eksplorur ndër ne. Mirëpo Ismet Rashiti nuk futet ndër bërraka duke sharruar për të mbetur tevona në to. Ai ndjek udhën e vet të jetës, të cilës i rikthehet duke e bërë njëheras udhë të shkrimit të një dëshmie të pakundërshtueshme, pra ai i kthehet udhës së njohur nëpër të cilën ka ecur në pjesën më të mirë të jetës së vet. Për çudi, bashkështegtari i kryehershëm i tij, me të cilin autori kishte qëlluar rastësisht në mensën ku kishte nisur kjo histori e rrëfyer nga shumë bashkërrëfyes të udhës së mundimshme, bën edhe dëshminë e mbramë të këtij libri. Në këtë mënyrë përftohet një rreth i gjerë unikal i një dëshmie të vetme të madhe, të artikuluar me qartësi, me thjeshtësi e dëlirësi, por mbi të gjitha me një vërtetësi të rrallë. Kjo e fundit, pra vërtetësia, është vlera themelore e këtij libri.

     Autori ka bërë një sërë rrëfenjash, qoftë si skica jetëshkrimi, si portrete, si dialogë, si nekrologë e monologë për një galeri të gjetur me invencion të rrallë të heronjve të vërtetë të veprave të mëdha, kundruall të cilave lartësohet edhe më e madhe heshtja e tyre fisnike me rrëzëllimë të madhe, të cilën ata nuk e kapërcejnë kurrë me fjalë shkumuese, zhveftësuese… Dëshmia e tyre është shumëfish më e fortë dhe e besueshme për shkak se atë e bëjnë duke shqiptuar jo bëmën vetjake, por veprën e tjetrit, duke e theksuar e ritheksuar çdo hollësi, ashtu siç funksionalizohet çdo imtësi që gjen natyrshëm vendin e vet në tërësinë e një mozaiku të stërmadh… Të duket sikur autori i gjen këta njerëz të thjeshtë krejt lehtësisht, disi sikur i ndodhen aq afër sa nuk i duhet kurrfarë mundi t`i kërkojë ata; të gjithë të duken aq të ngjashëm njëri me tjetrin herën e parë, mirëpo shpejt bindesh se ata ndryshojnë plotësisht njëri me tjetrin dhe vetëm një gjë të vetme kanë krejtësisht të përbashkët: gatishmërinë për të bërë gjithçka deri në vetëflijim për atdheun dhe kombin e vet. Në këtë pikë, çdo ndryshim që mund të kenë mes vete ata, del në pah sall për ta pohuar më me forcë këtë gjë të njëjtë.

Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla (1981)

 

Zürich 1981: Kadri Zeka duke folur para demonstruesve.

     Ismet Rashiti me përkushtim krijues ka gdhendur herë pas here gurë të veçantë të këtij mozaiku. Duke i njohur këta heronj të rrallë ndër situata tepër dramatike në një periudhë të gjatë kohe, duke u bërë me kohë edhe vetë pjesë e kësaj galerie të veçantë njerëzish me dukje e paraqitje krejt të rëndomtë, ai ka vënë re përherë e më qartë valimin e madh të prushitjes së shpirtit të tyre të gatshëm për sakrifica sublime. Filozofia e tyre jetësore paraqitet e thjeshtë dhe e qartë, por mjerisht nuk është kuptuar gjithnjë drejt, poende më keq ajo jo rrallë është keqpërdorur djallëzisht duke u interpretuar pabesisht. Atyre si shumë u mveshet një përkatësi e caktuar ideologjike. Kjo gjë është bërë djallëzisht në përpjekjet për denigrimin e tyre, heqjen qafe të tyre disi, zhvleftësimin, duke shkëputur çdo vështrim të çështjes nga konteksti i kohës dhe sidomos nga sfondi i rrethanave në të cilat kanë vepruar ata. Ideologjia e tyre e vërtetë ka qenë shqiptarizmi më i kulluar, të cilin e kanë mbështetur me tërë qenien e vet duke dëftuar përherë gatishmëri vetëflijuese sublime për të.

     Dëshmia e tyre e këtillë nuk ka qenë sall një fjalë goje apo parullë rasti e hedhur më kot. Është gjëja më e natyrshme që ata nuk mund të futeshin në zjarrin e pashuar të dashurisë për Shqipërinë e Përjetshme duke u ndeshur e ngatërruar me perdet e mjegullnajat diktatoriale prapa të cilave ndodhej e mbërthyer Shqipëria komuniste e asaj kohe. Synimi i tyre ishte drejtuar përtej atyre perdeve e mjegullnajave. Ata e shihnin drejt në sy të vërtetën e dhembshme, që ishte muri i lartë i vënë midis udhës së madhe të lirisë sonë, të cilin ata kishin vendosur ta shkallmonin përgjithmonë. Dhembja e këtyre flijimtarëve të pamposhtur ishte shumëfish më e madhe pasi atë mur të mallkuar po e mbanin mbi shpatulla, në përpjekjen e vet të kobshme për ta bërë të pakapërcyeshëm, jo pak bashkëkombas të tyre fatkeqë e faqezinj. Pikërisht nga ajo trumbë e pëshirë doli përpjekja e pandalur denigruese, e cila vazhdon ende të nxjerrë helm e vrer kundër rrënuesve të murit serb që ishte ngallmuar midis tokës shqiptare.

     Shtylla kurrizore e këtij libri është një personalitet i shquar i lëvizjes shqiptare të asaj kohe, Kadri Zeka. Bëmat e tij atdhetare qenë bërë me kohë udhëdëftuese e pothuaj tërë kësaj çete liridashëse të rinisë shqiptare të mërguar në Zvicër. Ndonëse Kadri Zeka kishte rënë shumë heret, që në nismë të organizimit të veprimtarisë së zgjeruar e të bashkuar çlirimtare, rrezatimi i idealit të tij prej ideologu të urtë e luftëtari të vendosur do të përshkojë gjithë galerinë e atyre që me mburrje e besnikëri do të vazhdojnë udhën e madhe të lirisë.

     Një yll polar që i prin kësaj çete të flijimtarëve në çdo udhë që merr ajo për lirinë shqiptare pa dyshim është figura rrëzëlluese e Adem Demaçit. Në kohën kur pjesa dërrmuese e njerëzve tanë gjithandej trembej edhe po të pëshpëritej emri i tij, tek këta djelmosha guximtarë shembulli prej atdhetari i Demaçit do të ketë përherë magjinë lëbyrëse të tërheqjes në udhën e vështirë dhe të pandalshme të çlirimit e të bashkimit kombëtar. Kështu, ata përveç që botojnë e ribotojnë veprat e tij letrare, shumëzojnë e shpërndajnë fondin e varfër e të vlefshëm të portretëve të tij, organizojnë orë letrare në kujtim e nderim të mësuesit të vet të atdhetarisë, qëllon që ndonjëri prej kësaj çete, një preshevar sypatrembur, duke u ndodhur në punë në një qytet slloven, nuk përfill kurrfarë rreziku dhe niset të bëjë takim me Adem Demaçin që ndodhej ndër qelitë e burgut në Stara Gradishka.

     Veprimi i këtij grupi të vogël, i cili do të rritet posi rrungaja nga dita në ditë, nisi me vënien e sinorit me armikun tonë të egër, duke bërë ndarjen e prerë prej klubeve të tij. Kjo ishte një sfidë që kufizonte me herezinë në atë kohë të ashpër, ishte paralajmërimi i parë i sigurtë se ndarja  prej klubeve jugosllave, të cilat në të vërtetë ishin çerdhe nepërkash kundërshqiptare, ku strehohej armata e pafund e policisë së fshehtë serbe, duke formuar njëheras klube të vërtata atdhetare të mërgimtarëve tanë, ishte vënia e gurit të madh të kufirit për të mos u kthyer kurrë më aty…

     Këta njerëz të përkushtuar e të heshtur bënë aq shumë vepra konkrete të dobishme, sa është e pamundur vetëm të renditen e të përmenden ato. Se çfarë lubie ishte përbindëshja jugosllave, burgu i madh i popujve, këta flijimtarë e kishin kuptuar heret. Ata e kishin vënë qartë dhe vendosmërisht vijën ndarëse prej saj: dolën prej çerdheve të gjarpinjve të saj që ishin organizuar si klube të vëllazërim-bashkimit kriminal, nxorën gazetat vetjake dhe shtruan ashtu thjesht e qartë çështjen e madhe të lirisë dhe të bashkimit kombëtar, ndanë edhe shkollën shqipe duke nisur gjithçka nga A e madhe, bartën e shpërndanë gazeta, revista e libra që binin erë Shqipërie; themeluan grupet e para politike, duke u organizuar sipas afiniteteve, përkatësive e ndjeshmërive që kishin atëherë, por gjithmonë dolën bashkë në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit të atdheut dhe kombit të vet. Natyrisht që ata kanë pasur shumë andralla jo vetëm me armatën e pafund të policisë serbe, me spiunë, dërdëllitës e frikacakë të sojit të vet, por edhe me organet e pushtetit vendës nuk u ka shkuar gjithnjë aq mbarë e lehtë. Ata e dinin se tërë kjo barrë kaq e madhe binte mbi shpatulla të tyre, por ishte gatishmëria e patundur që atë ta bartnin deri në frymën e fundit pa shikuar shtegun e rrezikut nëpër të cilin po kalonin..

     Në këto përpjekje të pareshtura ata megjithatë nuk ishin të vetmuar e as të braktisur. Siç del në mënyrë krejt të rrokshme e të natyrshme edhe në librin e Ismet Rashitit, këta njerëz të thjeshtë e të dëlirë, në pothuaj gjithë punën e pandalshme që bënin në një kohë të gjatë, patën gjithmonë krahë të djathtë motrat, nënat apo bashkëshortet e tyre, të cilat me kohë u bënë bashkëluftëtaret më të afërta e më të denja të tyre, duke kryer shumë punë të rëndësishme atdhetare krah për krah me vëllezërit, bijtë apo bashkëshortët e vet. Ato nga dita në ditë, krahas rritjes së gjithë rrungajës së kësaj lëvizjeje të vrullshme kombëtare, zunë të mos përkujdesen tashmë vetëm për punët e shtëpisë e të fëmijëve! Përveç këtij aspekti të spikatur me shumë mjeshtëri, autori në librin e tij nuk lë në harresë as ndonjë bashkëveprimtar nga radhët e vendësve që iu kishte bashkuar këtyre flijimtarëve tanë me bindje të thella për të drejtën që kishin ata në kërkimin e tyre ngulmues të udhës së lirisë.

Zvicër 1980: Kadri Zeka duke shfletuar shtypin e ditës.

 

Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi (Gjenevë - 1983) 

     Veprimi i tyre pas maskës, që rëndom e kanë quajtur ilegalitet, ndoshta ishte i nevojshëm së paku për të pasur një hapësirë sadopak më të madhe veprimi, por këtë gjë ata kurrë s`e kanë bërë nga qyqaria e as me ndonjë motiv tjetër meskin. Këta heronj të heshtur e të përkushtuar kanë lënë çdo gjë të tyre e të familjeve të veta mënjanë dhe janë vënë në ballin e shumëfishtë të barrikadave për ruajtjen e vlerave të nëpërkëmbura kombëtare gjithnjë deri në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e natyrshme pararendëse e së cilës qenë bërë në kohën e duhur dhe të tillë do të mbeten përgjithmonë.

     Kur thuhen tash kështu këto gjëra, me të vërtetë duken të lehta dhe tingëllojnë bukur, por krejt ndryshe ishin ato në kohën kur ndodhnin. Tek themeli i kësaj ideje sublime të bashkimit dhe organizimit të qëndresës së kësaj fuqie njerëzore u therorizuan tre prijësit e pavdekshëm shqiptarë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Vrasja gjakatare e heronjve të Kosovës ndodhi pikërisht në çastin madhështor të bashkimit të tyre. Trandja që kishte zgjuar ky bashkim nuk ishte e rastit për Beogradin. Ai u mobilizua shpejt për të goditur këtë lëvizje të pandalshme të shqiptarëve, duke menduar se e kishte qëlluar atë në lule të ballit. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Këta guximtarë të paluhatshëm tash ngarkuan barrë të re më të madhe mbi shpatullat e njoma: të shpurej deri në fund ideali për të cilin kishin rënë pabesisht nga duart gjakatare heronjtë e bashkuar shqiptarë në udhën e madhe të lirisë. Natyrisht që as këta nuk ishin pa brenga, vuajtje e mall, por këto ishin të padiktueshme në krahasim me sakrificat e tjera më të mëdha e të rrezikshme: shumë prej tyre u burgosën, u vranë e u torturuan, edhe më shumë të tjerëve iu pre udha e kthimit në atdhe dhe jo pak privime të tjera, të cilat për ta nuk çonin peshë kundruall synimit kryesor që kishin. Nga tërë kjo galeri djemsh që kishin ardhur në mërgim në moshën më të mirë, pothuaj pjesa dërrmuese e tyre i pati të mbyllura portat e atdheut deri në çlirimin e tij. Pati prej tyre që shkallmuan ato porta dhe shkuan të heqin mallin ose të kryejnë misionin atje, por jo pak përfunduan prapa dyerve të qelive. Ndërkaq edhe pas kalimit të atyre dyerve të kobshme, ata vazhduan pa u hamendur, pa përfillur kërcënimin dhe pa u stepur para rrezikut, aty ku e kishin lënë punën. Këta flijimtarë të mëdhenj, më të mëdhenjtë në radhë menjëherë pas dëshmorëve të atdheut, ishin themeluesit e parë të vendosur të çetave të pathyeshme të lirisë shqiptare gjithandej, duke u ndodhur përherë në ballin e tyre, duke i mbajtur dhe duke i mbështetur ato në të gjitha mënyrat.

     Përveç dëshmisë së anës politike, sidomos asaj historike, libri i Ismet Rashitit i jep një ngjyrim të fortë dëshmimi edhe vetë fenomenit të mërgimit, duke bërë një sistemim mjaft të natyrshëm të tij ndër faza të caktuara në një hark kohor afër tridhjetëvjeçar. Ndonëse ky aspekt vihet në plan të dytë, ai kështu del vetvetishëm dhe përplotëson një anë të veçantë në kundrimin një fenomeni të ndërliqshëm të jetës shqiptare në një kohë vendimtare. Të përmend kalimthi faktin që tërë ky vargan njerëzish që paraqitet këtu vjen kryesisht nga një krahinë shqiptare, nga Ana e Moravës; pjesëtarët e tij janë të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër mes vete, por veprimin e bëjnë gjerësisht e thellësisht në plan gjithëkombëtar. Dua të them që kjo veçori e librit, ndonëse nuk përkon me ndonjë kriter regjional, para së gjithash lidhet me afrinë e autorit me një qark të njohur deri në hollësi, gjë që atij i ka dhënë dorë të bëjë një qasje përmasash të gjera.

     Shkrimin e Ismet Rashitit e shquan thjeshtësia, dëlirësia dhe sidomos natyrshmëria, një natyrshmëri e drejtpërdrejtë dhe plotësisht e besueshme. Ai nuk bën publicistikë të stisur duke i stolisur protagonistët e vet me flatra apo duke ua verbuar sytë në ngasje pas ndreqjes pispillosëse të vetullave! Shihet qartë se ndjenja e parë e tij ndaj tyre është malli i përhershëm i ndarjes dhe dhembja e pashërueshme e humbjes. Me këto dy ndjenja fisnike stolisur, libri i Ismet Rashitit, sado që përvijohet nëpër dobësi jo të pakta të natyrës së shkrimit, ai në krye të herës mban përherë ndezur pishtarin e madh të dëshmimit plotësisht të mbështetur në faktografi natyrale për një veprimtari të pandalur atdhetare të një garde liridashësish të pamposhtur. Të gjitha këto copëza të historisë sonë i ka mbledhur ky zelltar i palodhshëm me një përkushtim të rrallë. Synimin e tij e shpreh thelbësisht ajo që thotë vetë: “Nuk ka gjë më të keqe se kur njeriu është dëshmitar okular dhe nuk e thotë të vërtetën”. Kjo shtysë e shtyn atë të gjurmojë e të ndriçojë tërë atë që rrok rrezatimi i tij njerëzor e krijues. Në këtë libër, i cili është bërë me pasionin e heqjes së pluhurit të harresës, çdo gjë sikur vihet në vend të vet. Dhe kjo nuk është pak.

Bern, 24 kallnor 2010

 

 

NË PËRKUJTIM TË JUSUFIT, KADRIUT E BARDHIT

 

P ë r m b a j t j a :

 

U VRANË SEPSE DËSHIRONIN KOSOVËN TË LIRË

Shkruan: Prof. asc. dr. Begzad Baliu

 * * *

JUSUF GERVALLA DHE SHTYPI ILEGAL I KOSOVES

 Shkruan: Ethem Çeku

 * * *

BARDHOSH GËRVALLA - BESNIKU I KOSOVËS

 Shkruan: Lutfi Dërvishi

 * * *

KADRI ZEKA DHE KOHA JONË

Prof. asc. dr. Begzad Baliu

 * * *

POEZI QË MORI BEKIMIN E NËNËS

 Shkruan: Pandeli Koçi

 * * *

KADRI ZEKA - NJË JETË NË SHËRBIM TË POPULLIT

Shkruan: Agim Sylejmani

 * * *

KADRI ZEKA

TRIBUN I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Shkruan: Albana Krasniqi

 * * *

ROMANI “RROTULL” I JUSUF GËRVALLËS

 Shkruan: Lumira Berati

 * * *

PUBLICISTIKA POLITIKE E JUSUF GËRVALLËS

 Shkruan: Myftar Memia

*  *  *

 JUSUF GËVALLA SI ADHURUES I TINGUJVE

 Shkruan: Pandi Bella

 

 

U VRANË SEPSE DËSHIRONIN KOSOVËN TË LIRË

 

Prof. asc. dr. Begzad Baliu

__________________________________________________________________________

 

(Tragjedia e 17 janarit 1982 dhe jehona e saj në mjetet e informimit botëror)

 

    Menjëherë pas ngjarjeve të vitit 1981, pushteti policor jugosllav, i vendosur në Kosovë, tërë vitin në vazhdimësi, ndërsa 3-4 muajt e parë në veçanti, do t’i përshkojë me “dënime drakonike” (Frankfurter Allgemaine Zeitung”), me ndjekje, me gjyqe të montuara e të caktuara ekskluzivisht për këtë kohë, me dhunë, me ushtrime të veçanta policore, “të përforcuara me mijëra funksionarë të sigurimit” (AP), me ushtrime ushtarake “më shumë se sa rutinore” (Radio Vjena), me “ekscese personale e kolektive”. Përvjetorin e parë të demonstratave të ’81-shit shtypi botëror dhe mjetet e tjera të informimit do ta presin bashkë me një ngjarje tragjike dhe tronditëse për opinionin shqiptar dhe më gjerë.

    Më 17 janar nga dora e zezë do të vriteshin tre patriotët shqiptarë, të cilët me vite  e bartnin mbi supe flamurin e marshit kombëtar në Kosovë e Jugosllavi për liri e bashkim komëtar. Krimin e përgjakshëm menjëherë do ta shënonin dhe dënonin të gjitha agjencitë botërore, në të shumtën e herave pavarësisht nga mjetet e informimit jugosllav dhe politikës së saj të ditës, e cila do të krijonte e herë pas here do të tentonte ta hijesojë të vërtetën rreth krimit në Gjermani. Mjetet e informimit botëror: ROJTER, AP, UPI, BBC, DPA etj., duke pasur parasysh edhe disa raste konfliktesh në mes të individëve dhe grupeve të caktuara në shtetet perëndimore, krimin do ta shikonin si të zakonshëm, do të nënvizonin: “fjala është për jugosllavët e nacionalitetit shqiptar…”.

 

 

Dëshironin Kosovën të lirë

 

    Që nga 18 janari burim i fuqishëm dhe serioz do të jetë gazeta gjermanoperëndimore “Die Welt”, e cila në faqen e parë do të njoftojë krimin nën titullin “Jugosllavët e vrarë dëshironin Kosovën të lirë”. “Tre shqiptarë nga Jugosllavia të cilët u vranë të hënën në mbrëmje në Untergrupenbach, në Heilbran, ishin angazhuar aktivisht për krijimin e Republikës së Pavarur të Kosovës”. Gazeta pastaj do të njoftojë se “në Kosovë jeton pakica shqiptare, e cila kohëve të fundit edhe në botën e jashtme dënon ashpër diskriminimin politik që udhëheq Beogradi”. “Drejtoria krahinore për kriminalitet, për shkak të prapavisë politike, këtë rast ia ka paraqitur një komisioni special”. “Dy prej tri viktimave, janë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla (31 dhe 36-vjeçarë). Viktima e tretë është Kadri Zeka (28 vjeçar). Përfaqësuesi i Drejtorisë Krahinore për Kriminalitet e përshkroi ngjarjen duke theksuar: “36-vjeçari Jusuf Gërvalla, para se të vdiste ka deklaruar se për këtë sulm përgjegjës është shërbimi i fshehtë jugollav, UDB-ja…”.

    Një ditë më vonë, më 19 janar, Radio Londra (BBC), jep edhe theksime të veçanta të policisë gjermane, se “udhëheqja jugosllave ka lajmëruar më herët se vëllezërit Gërvalla kanë qenë liderë të një organizate. Policia nuk jep kurrfarë të dhënash të veçanta, por njofton se dyshohet për vrasje me prapavijë politike. Fjala është për lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, që kërkon pavarësinë qysh nga fundi i viteve të 60-ta”. Gazeta italiane “Koriere dela sera” sjell artikullin e Etora Pete me titull: “Emigrantët shqiptarë nga Kosova në shënjestër të shërbimit sekret”.

    Të dhënat e të gjitha agjencive dhe gazetave me ndikim në botë janë të rëndësishme për shkak të mënyrës së komentimit, theksimeve të posaçme dhe lidhjes së tyre me tema tjera të kohës. Vendin e ngjarjes dhe mënyrën e krimit e përcjellin në të njëjtën mënyrë të gjitha agjencitë. Po atë ditë gazetat belge “Le soar” dhe “Dernier” në vend të dukshëm njoftojnë për krimin. Më 20 janar gazeta në gjuhën angleze “Dejli jomijuri” dhe gazeta më e kërkuar në Japoni “Jumijuri shimbun” sjell lajmin e agjencisë AP nga Shtutgarti me titull “Tre  jugosllavë u vranë nga pusia në Gjermaninë Perëndimore”, uke përfunduar se “njëri nga ata, para vdekjes akuzoi policinë jugosllave për vrasjen e tre aktivistëve që merreshin me shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe bashkimin me Shqipërinë”.

 

 

JUSUF GERVALLA DHE SHTYPI ILEGAL I KOSOVES

 

 Shkruan: Ethem Çeku

__________________________________________________________________________

 

    Me përparimin e shkallës së zhvillimit të ilegales shqiptare në Kosovë, me rritjen e numrit të grupeve e të organizatave ilegale, me rritjen e anëtarëve dhe të përkrahësve të këtyre grupeve e organizatave, të cilat arrinin në qindra e mijëra, me krijimin e kushteve për masovizimin e ideve për çlirimin e Kosovës, lindi edhe nevoja për shtypin ilegal, përmes të cilit udhëheqësit politikë do të paraqisnin idetë e veta, orientimet politike dhe argumente e shumta për domosdoshmërinë e organizimit të tillë.

    Grupet ilegale shqiptare që dolën nga Lufta e Dytë Botërore iu nënshtruan përndjekjeve të nduarnduarshme dhe nuk kishin asnjë përkrahje morale dhe organizative nga shtetet fqinje. Këtë përkrahje nuk e kishin as nga Shqipëria dhe Perëndimi. Anëtarët e saj do të veprojnë si organizma të riorganizuar sa në një vend sa në një tjetër, por nuk do të arrijnë të konsolidohen, deri në atë masë sa të vënë në shërbim edhe shtypin ilegal.

    Organizata e Adem Demaçit nuk do të arrijë të nxjerrë ndonjë organ të veçantë të saj. Madje, as në konceptet e saj politike dhe programore nuk e parashihte këtë aktivitet të veçantë. Numri i anëtarëve të tyre ishte i reduktuar kryesisht në treshe, sikur do të jenë të organizuara pothuajse të gjitha grupet e tjera ilegale deri nga fundi i viteve ‘70. Veprimi i tyre insistohej të ishte më konkret në rrethet ku vepronin, si: vënia e flamujve, shkrimi i parullave etj. Ndërkaq, pikëpamjet e tyre politike dhe atdhetare përpiqeshin t’i paraqisnin nëpërmjet shtypit legal dhe brenda institucioneve kulturore dhe politike: kryesisht në formë të pamfleteve, diskutimeve në qarqe të ngushta shoqërore e kolegiale, shkrimeve dhe shpërndarjes së fotokopjeve të poezisë patriotike etj.

    Rrethanat ca më të mira për nxjerrjen e një gazete ilegale në Prishtinë u krijuan vet[m nga mesi i viteve ‘70. Këtej, pas vitit 1966, ishte krijuar një inteligjenci e atdhetarëve të arsimuar dhe një vetëdije politike në popull, e cila ishte e gatshme që pa zhurmë të pranonte jo vetëm shtypin e Tiranës, që plasohej në Prishtinë në ekzemplarë të caktuar dhe q[ bartej dorë pas dore, por edhe shtypin shqiptar ilegal, i cili përcillej nga njëri aktivist te aktivisti tjetër, dhe nga njëra familje deri te familja tjetër, e kështu me radhë. Kjo kohë karakterizohet me periudhën kur ndër studentët vlonin diskutimet politike për historinë politike dhe bashkëkohore të popullit shqiptar dhe të rajonit në përgjithësi.

    Gazeta e parë shqiptare ilegale në Kosovë është “Zëri i Kosovës”. Atë e ka nxjerrë Grupi Revolucionar i udhëhequr nga Kadri Osmani. Gazeta është shtypur në Prishinë në shtëpinë e tij, ndërsa është shpërndarë kryesisht nga Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Për shkaqe se ekzistonin kushtet më të mira në Perëndim, sidomos në aspektin teknik, Ibrahim Kelmendi (Fronti i Kuq Popullor) themeloi dhe nxori gazetën ilegale “Bashkimi”, e cila më pastaj do të shpërndahet në Kosovë. OMLK ndërkaq, themeloi dhe publikoi gazetën “Liria” e cila do të qarkullojë fuqimisht në qarqet studentore dhe intelektuale. Krahas gazetës, OMLK për herë të parë themeloi edhe edicionin botues të librit dhe e nxori veprën “Këngët e lirisë”, me poezi të zgjedhura të poetëve të ilegales. Më pastaj, Jusuf Gërvalla në perëndim e botoi revistën “Lajmëtari i lirisë”, e cila do të ketë ndikim të fuqishëm edhe në qarqet e inteligjencies në Kosovë. Ndërsa, pas vitit 1981 u botua vetëm një revistë e ilegales, “Zëri i Kosovës”, e cila doli në tirazh më të madh dhe u shpërnda në të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë.

    Ndonëse ishte riprodhim i organizatave të ndryshme, kjo veprimtari botuese, edhe sipas programit, edhe sipas statutit, editorialet e tyre nuk do të dalin jashtë ndikimeve politike dhe kulturore të idealeve kombëtare për çlirimin e Kosovës, si dhe jashtë ndikimeve politike dhe kulturore të Tiranës. Në këtë aspekt janë shumë mbresëlënëse këto pasazhe që hapin editorialin e gazetës “Liria”:“ Liri thërret sot Kosova e robëruar, Kosova e shumëvuajtur e martire, Kosova trime. Bijtë e Kosovës luftuan në shekuj për liri, kundër armiqëve të shumtë e të egër që lakmonin fushat tona të gjera, malet tona të bukura, pasuritë e shumta që ka në vete toka jonë e dashur. Me këto lakmi të çmendura kralët e Serbisë e të Malit të Zi, me ndihmën e imperializmit evropian, me gjithë luftën heroike të popullit shqiptar, arritën të shkëpusin nga trungu i Shqipërisë gati gjysmën e saj dhe ta fusin nën robërinë e tyre të egër.

Të nisur nga këto lakmi kralët revizionistë të Beogradit, me tradhti dhe me hekur e zjarr e futën sërish në një robëri të re, po aq të egër, popullin e Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Gazetat që i botonin: Jusuf e Bardhosh Gërvalla,

Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi ( 1979 - 1981).

____________________________________________

 

    Por, populli ynë që në historinë e tij nuk iu nënshtrua kurrë asnjë robëruesi, sigurisht që nuk u pajtua asnjëherë me sunduesit e rinj revizionistë e shovinistë të tërbuar. Prandaj populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi ka luftuar vazhdimisht dhe lufton pa pushuar në forma të ndryshme kundër pushtuesve të sotëm revizionistë për çlirim kombëtar e shoqëror. (…) “Organi "Liria" po del më qëllim që ta ndihmojë këtë luftë të popullit tonë për të drejta e liri. "Liria" në gjithë punën e saj do të frymëzohet nga aspiratat e larta të popullit dhe do të orientohet nga një e drejtë politike e ideologjike marksiste-leniniste. "Liria" do të jetë një tribunë e vërtetë e popullit që ka për qëllim të ndihmojë bashkimin e gjithë popullit në luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve.

“Liria” do të karakterizohet nga fryma e lartë e internacionalizmit proletar (…). Këtë mision ka “Liria” jonë.( Lajmëtari i Lirisë”, nr. 1, Gusht 1980, f. 3) Ndonëse dalja në ilegalitet e Jusuf Gërvallës dhe e Kadri Zekës në shumë aspekte e përmirësoi spektrin e temave dhe nivelin cilësor të shkrimeve të tyre, sidomos konceptet dhe mënyrën e formulimit të tyre, që nuk dallonte aspak nga mënyra e shtrimit të k[tyre temave dhe komentimi në shtypin e Tiranës. Asnjëra prej gazetave nuk i kalon më shumë se pesë numra gjatë gjithë kohës së daljes. Kjo mund të thuhet edhe për vëllimin, i cili nuk i kalonte 16 faqe.´

    Autorët e teksteve zakonisht janë autorë anonimë, pjesëtarë të ilegales shqiptare, si, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla etj., dhe analistët e shtypit shqiptar të Tiranës n[ gazetat dhe revistat „Zëri i Popullit“, „Bashkimi“, „Shqipëria e Re“, etj.

    Shtrohet pyetja cila ishte përmbajtja me të cilën merrej shtypi shqiptar?

    Aty fokusoheshin temat, si, çështja e burgosjes së rinisë shqiptare, e historisë së popullit shqiptar të Kosovës, luftërat historike dhe heronjtë e tyre, përvjetorët e patriotëve të veçantë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare apo t[ themeluesve t[Lëvizjes Komuniste shqiptare (Hasan Prishtin[s, Bajram Currit, Avni Rrustemit, Ali Kelmendit etj.), të cilët në të gjitha kohët u kanë prirë lëvizjeve revolucionare brenda kombit dhe më gjerë;

    Pavarësisht prej hapësirës së ngushtë që kishte, shtypi shqiptar ka botuar një varg formash politike, letrare dhe publicistike. Aty botoheshin komente, shënime kohore, reportazhe, ditare, letërkëmbime, analiza, etj., por, më së shumti botoheshin polemika, si të thuash, të gjitha shkrimet kishin karakter polemizues. Ishin botuar temat historike të historisë së popullit shqiptar, në veçanti është shkruar dhe botuar për historinë tragjike të ndarjes së trojeve shqiptare, deri te fati i Kosovës. Janë botuar Programet dhe Statutet e organizatave politike që i drejtonin ato gazeta; reagimet ndaj artikujve të shtypit jugosllav për çështje nga më të ndryshmet që ndërlidhën me pozitetën politike, kulturore dhe ekonomike të popullit shqiptar nën Jugosllavi.

    Duke mos dashur që të merrem me artikujt veç e veç e quaj të arsyeshme që të merrem vetëm me disa nga temat e ndjeshme për kohën, të cilat nuk ishin shtruar më tej dhe nuk janë shtruar edhe sot në shtypin shqiptar e as në veprimtarinë shkencore.

    Që këtej, në numrin e parë të gazetës “Bashkimi”, botohet artikulli polemizues i analistit shqiptar Skënder Osumi, me titull „Revista ‚Nin’ e Beogradit fsheh të vërtetën mbi gjendjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi“, (Marrë nga revista “Ylli”, nr. 4, 1979 Tiranë.) në të cilin përveç tjerash thuhet: “Në shkrimet që ka botuar kohët e fundit për Kosovën, revista e përjavshme e Beogradit‚ NIN’, përpiqet të minimizojë prapambetjen ekonomike të kësaj krahine dhe në mënyrë të veçantë të kombësisë shqiptare dhe të fshehë shkaqet e vërteta të kësaj gjendjeje. Me qëllim që të sqarohet e vërteta mbi prapambetjen e Kosovës po botojmë këtu disa të dhëna të marra nga shtypi në statistikat zyrtare jugosllave, që zbulojnë burimet dhe shkaqet e kësaj prapambetjeje, të cilat revista e Beogradit i lë në heshtje”. Në vazhdim artikulli trajtonte hollësisht çështjen e pasurive nëntokësore dhe mbitokësore të Kosovës, duke i radhitur pasuritë minerale e energjetike dhe shfrytëzimin e tyre nga të tjerët, e deri tek prodhimet bujqësore të Kosovës, me të cilat mund të ushqehet Kosova pa nevojën e domosdoshme për të importuar ato nga republikat e tjera.

    Një prej temave me të cilat shquhet shtypi shqiptar i ilegalitetit, me të cilën edhe sot heziton të merret publicistika dhe inteligjencia shqiptare është çjerrja e maskës së kryetarit të atëhershëm të Jugosllavisë Titos. Në krye të këtyre shkrimeve qëndron sidomos penda e dalluar kritike dhe polemiste e Jusuf Gërvallës. Artikujt e tij të përmbledhur nën temën e gjerë “Letër e hapur satrapit J. B. Tito” me nëntitujtë „Njeriu ka një të metë, ai di të mendojë!“, „ Dordolecët dhe udbashët“, ai ka botuar një varg shkrimesh publicistike, të cilat konsiderohen ndër esetë më të mira politike në letrat shqipe. E kësaj natyre është edhe përmbledhja e kritikave me mbititull Perditio tua, Israel, ex te (“Liria”, tetor 1980, nr. 1, faqe 1- 3, 13-14.), i cila së pari botohet tek Liria e më pastaj u botua edhe në Zërin e Kosovës.

    Po kaq të r[ndësishme për kohën dhe për studimet shqiptare dje, sot dhe nesër më duket artikulli Jemi shqiptarë e asgjë tjetër, i cili në mënyrë shteruese merret me politikën jugosllave për krijimin e kombeve të reja, respektivisht me politikën jugosllave për krijimin e kombit jugosllav, me të cilën përpiqeshin të asimilonin sidomos popujt e vegjël në Jugosllavi.

    Duke marrë shkas nga regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi, artikullshkruesi i bënte një analizë historike, sociale, kulturore dhe politike këtij aktiviteti shtetëror: Në këtë artikull, veç të tjerash, thuhet: „Propaganduesit dhe përkrahësit e një deklarimi të tillë mundohen ta arsyetojnë atë me “përzierjen e popullsisë në Jugosllavi”, me “ndjenjen e patriotizmit jugosllav”, me “rëndësinë që do të kishte një deklarim i tillë për forcimin e vëllazërim –bashkimit” etj., etj., por në të vërtetë, pas idesë për t’u deklaruar “jugosllavë” fshihen qëllime të rrezikshme shoviniste e reaksionare.

    Shovinistët serbomëdhenj gjithmonë janë përpjekur për një Jugosllavi unitariste, ku nuk do të kishte kombe e kombësi të ndryshme, por të gjithë do të ishin e do të quheshin “jugosllavë”; e dihet pastaj se e kujt do të ishte një Jugosllavi e tillë. Qëllime të tilla shoviniste ka edhe kërkesa që në regjistrimin e popullsisë njerëzit në vend të përkatësisë së tyre kombëtare të shënojnë ”jugosllavë”. Ashtu si në të kaluarën armiqtë e popullit tonë do të përpiqen që ne shqiptarët të deklarohemi si “turq” ose “musliman”, duke e ngatërruar me qëllim përkatësinë kombëtare me atë fetare.

    Por, kombi dhe feja nuk janë e njëjta gjë. Kur në regjistrim kërkohet përkatësia kombëtare, kjo nuk ka të bëjë fare me besimin fetar që kanë banorët, por me kombin e tyre, me gjakun që kanë, me gjuhën, zakonet e tjera. Nëse një shqiptar deklarohet se është “turk” apo “musliman” kjo nuk do të thotë se ai u shkrua si besimtar i fesë islame, por llogaritet se nuk është shqiptar, por pjesëtar i një kombi tjatër, i kombit turk, “boshnjak” (“musliman”) etj. Ata që regjistrohen kështu bëjnë vetëm që të zvogëlohet numri i vërtetë i shqiptarëve në Jugosllavi e mu këtë e dëshirojnë armiqtë e popullit tonë(“Liria”, dhjetor 1980, nr. 2, faqe 7.)

    Ndonëse në rrethana të tjera të kohës, që atëherë në shtypin ilegal botohet një analizë me titull “Bashkimi bën fuqinë“, e cila do të mbetet aktuale dhe me interes deri në fillimin e luftës së armatosur në Kosovës. Ndonëse i nisur sipas një parimi të caktuar ideologjik për kohën, ajo analizë largpamëse që atëherë do të dëshmojë për nevojën e përgatitjes për një luftë, si alternativë e vetme për çlirimin e Kosovës, alternativë kjo të cilën do ta vëjnë në jetë brezat e ardhshëm të tyre. Në këtë artikull, mes tjerash, shkruan: “Liria nuk fitohet me vota. Dhe kurrë nuk ka ndodhur që pushtuesi të bëhët aq zemërgjerë sa t’ia kthejë një populli lirinë të cilën ia ka rrëmbyer një herë. Vetëm lufta e vendosur dhe pa kursim e popullit të robëruar e heq qafe zgjedhën e huaj dhe botën e detyron t’ia njohë atij lirinë.

    Në luftë kundër pushtuesit jugosllav dhe tradhtarëve shqiptarë, vasalë të qeverisë së Beogradit, ne nuk duhet të ushqejmë iluzione dhe ti lejojmë vetes asi komoditeti që të ngelim jashtë rrymës së drejtëpërdrejtë të stuhisë, qoftë në kuptimin e frazës reaksionare: “Ha përshesh, se ka kush i këqyr punët e fisit”, qoftë në kuptiminn e shmangies tonë për një kohë më të gjatë a më të shkurtër nga lufta, duke ndjekur vijën e rezistencës së ulët. Mirëpo, ne, po vepruam me përkushtim dhe energji patriotike e revolucionare, do të kemi në dorë një faktor tjetër vendimtar: faktorin popull. Kur të ketë hyrë i vendosur e i bashkuar në shërbim të luftës së drejtë çlirimtare, populli përbën një fuqi të jashtëzakonshme, e cila thyen çdo potencial teknik dhe numerik të armikut pushtues. Këtë e dëshmojnë luftërat çlirimtare dhe revolucionet në historinë e njerëzimit.

    Sa i përket bashkëpunimit internacionalist me forcat përparimtare në botë, Fronti i ka vënë vetes detyrë të përhershme afirmimin e luftës sonë të drejtë dhe ndihmën reciproke ndërmjet elementeve revolucionare. Më në fund konsiderojmë se ngadhënjimi i luftës dhe revolucionit tonë do të jetë njëherazi kontribut për fitoren e revolucionit socialist në botë (“Bashkimi”, Nr. 1, Janar 1981.)  Po këtë ton ruan edhe artikulli “Të mblidhemi rreth flamurit fitimtar të popullit tonë të bashkuar”, i botuar te gazeta “Liria”, në ballë të të cilit është vënë mendimi largvajtës i Sami Frashërit “Kush nuk derdh një pikë gjaku për tokë të vet, kush nuk jep asnjë qindarkë për të, ai s’ka të drejtë as të varroset në të”.

    Me rastin e zhvillimit të demonstratave t[ m[dha të vitit 1981, shtypi ilegal kësaj demonstrate i bënë vlerësime me dimensione politike dhe historike në artikujt: „Kosova gjëmëmadhe, trimëresha Kosovë“; „Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç’duan ata?“ (“Liria”, dhjetor 1980, nr. 2, faqe 1-2.) „Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë“ (“Liria”, maj 1981.„) Përpara drejt fitores!" (“Liria”, gusht 1981, nr. 4-5.) Në këto shkrime vlerësohet triumfi studentor dhe uniteti i popullit rreth kërkesës së drejtë të tyre për liri dhe bashkim kombëtar. 

    Një prej artikujve me interes të jashtëzakonshëm është artikulli „Solidarizimi me popullin shqiptar ju bën nder dhe ju forcon“, me të cilin artikullshkruesi por edhe organizata ilegale ju drejtohet popujve të Jugosllavisë për përkrahje dhe solidaritet me popullin shqiptar, i cili sikur thuhet historikisht po luftonte për të drejtat e tij legjitime, lirinë dhe bashkimin me shtetin amë. Artikulli përkujtonte popujtë e Jugosllavisë se, jo vetëm populli shqiptar, por edhe popujt e tjerë shtetformues kroatët, serbët, sllovenët etj., ishin zënë peng të politikës fashiste dhe nacionalshoveniste të Beogradit: “Shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, të shtypur e të shfrytëzuar si mos më keq qe 40 vjet të zeza, kanë vendosur të luftojnë pa kompromis për realizimin e të drejtave të veta. Ata kanë vendosur të mos durojnë më që, duke shkelur përmbi ta, titistët të nd[rtojnë “vëllazërim - bashkimin” e tyre të rremë”.

    Artikulli bën përpjekje t’i përkujtojë popujtë e Jugosllavisë se shqiptarët ishin gati të bashkëpunonin dhe të bashkëjetonin në fqinjësi të mirë me popujt e Jugosllavisë, por këtë mund ta bënin “vetëm në kushte të barabarta të jetesës, të mirëkuptimit e të respektimit reciprok”. Gjithashtu, në artikull ju bëhej me dije popujve të Jugosllavisë se, politika e Beogradit ndonëse e maskuar me nacionalshovinizmin e saj vetëm po kotej mbi ëndrrën e errët të Car Dushanit për “Stara Serbinë”, me të cilën mbahej varur një popull i nëpërkëmbur, siç është populli shqiptar, dhe në të njëjtën kohë, kërcënohej edhe paqja në Ballkan dhe Evropë.

    Për shkak se kjo politikë ishte anticivlizuese dhe anakronike, shqiptarët, thuhet nga artikullshkruesi kanë vendosur që të kundërshtojnë këtë ide dhe veprim, prandaj ata do të martirizohen deri në fund për të mbrojtur interesat e tyre liridashëse dhe kurrë nuk do të përkulen “pa u shkrirë gjithë populli ynë martir, i cili ka qenë me shekuj i pushtuar e i shtypur, por asnjëherë i përkulur!”

    Artikulli i ftonte popujtë e Jugosllavisë që të ngriteshin bashkërisht kundër politikës së Beogradit, me qëllim që edhe ata të realizonin idealet dhe ëndrrat liridashëse të tyre, jo duke shafqur simpati ndaj regjimit, por duke vepruar në praktikë kundër tij. Duke urryer “në vend që të simpatizoni” lëvizjen aktuale të shqiptarëve kundër robërisë, shtypjes e mjerimit, ju do ta shtyni për shumë e shumë kohë luftën tuaj të ardhshme të pashmangshme për çlirimin tuaj kombëtar e shoqëror nga e njëjta zgjedhë.

    Në fakt, populli shqiptar, në një mënyrë a në tjetër, në shekuj e ka ndarë me ju të mirën dhe të keqen. Në emër të kësaj, ky popull e quan sot të drejtë ftesën që jua drejton juve për solidarizim me luftën e tij të ligjshme. Vetëm gënjeshtra e ligë dhe mashtrimi i armikut tonë të përbashkët qeverisë shoviniste të Beogradit, mund t’ju bëjë te ngurroni, të mos solidarizoheni me luftën e drejtë të shqiptarëve. Duke mos u bërë, pengesë në rrugën e drejtë të luftës së shqiptarëve. Duke mos u bërë pengesë në rrugën e drejtë të luftës së shqiptarëve, po përkundrazi duke u solidarizuar me këtë luftë, ju do të konsolidoni në fakt radhët radhët tuaja dhe, në mos sot, do ta keni më lehtë nesër të luftoni armikun, i cili e ka vënë gojën e vet prej katallani dhe thith pa mëshirë nga burimi i të drejtave e lirive, nga burimi i mirëqenies dhe i prosperitetit të Jugosllavisë, pa ju lënë juve thuaja asgjë nga këto.

    Ky artikull për kohën në të cilën ishte shkruar, shumë shpejt do të bëhej aktual dhe inspirativ për lëvizjen e ilegales atdhetare shqiptare. Ishin vetë popujtë jugosllavë: sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonët dhe më në fund edhe vetë serbët, ata që do të provojnë mbi kurriz pasojat e koncepteve politike të nacionalshovenizmit serb. Ato do të jenë të parët, që do të ngriten me armë kundër kësaj politike, të cilën gjatë e kanë mbjell[ qarqet politike, shkencore, ushtarake dhe kishtare të Beogradit.

 

 

BARDHOSH GËRVALLA - BESNIKU I KOSOVËS

 

 Shkruan: Lutfi Dërvishi

__________________________________________________________________________

 

    Në fshatin Untergrupenbah afër Shtutgartit të Gjermanisë, mbi varrin e një të riu shqiptar 31 vjeçar gjendet ky epitaf: “Këtu prehet dhe pret një ditë Besniku i Kosovës”. Mbase do të mjaftonin këto dy radhë për të shprehur dramën e këtij të riu, të cilën në njëfarë mënyre e përjeton sot Kosova, me të vetmin ndryshim që dita e shumëpritur sot duket më e afërt se kurrë. Është fjala për Bardhosh Gërvallën, djalin e tretë të familjes Gërvalla, jeta e të cilit mbetet ndoshta unike për nga rastësitë e mbrapshta që e ndoqën qysh para lindjes. E ndoqën gati gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër e nuk iu ndanë as pas vdekjes. Vjen në jetë më 1951 i pagëzuar me emrin e babait të tij, Bardhoshit, i cili kishte vetëm dy javë që kishte mbyllur sytë.

Për shkak të marrjes së tokës nga një kolon malazez, familja e tij largohet nga Duboviku i komunës së Deqanit dhe shkon në Jesenicë të Sllovenisë. E ëma punon si pastruese, por të ardhurat e saj janë mjaft të pakta, e për të plotësuar diçka futet në punë në moshë të mitur edhe i vëllai Hyseni.

    Në Jesenicë Bardhoshi merr shkollimin fillor e të mesëm në shkollën sllovene dhe një shkollë për kuzhinier. Në Universitetin e Kosovës studion anglishten, por nuk arrin t’i mbarojë studimet. Ushtrinë e bën në marinë. Pasioni kryesor i rinisë së tij mbetet kitara dhe mësimi i gjuhëve të huaja.

 

    Në moshën 23-vjeçare, më 1974, shkon në Gjermani si emigrant, ku sistemohet në një zyrë për punë sociale me të huajt. Këtu ai shfrytëzon veçanërisht aftësinë që kishte në zotërimin e gjuhëve të huaja (gjermanisht, anglisht, italisht, serbokroatisht, sllovenisht, danisht, maqedonisht) për të ndihmuar mërgimtarët shqiptarë nga Jugosllavia. Bardhosh Gërvalla dhe numri i tij i telefonit 26 091 në një zyrë në qytetin Ludvigsburg të rajonit të Virtenbergut shpejt u bë i njohur për mërgimtarët në Gjermani, të cilët ai i udhëzonte, u zgjidhte probleme të ndryshme juridike e sociale nga kodi i punës së të drejtave që u garantonte ligji gjerman. I papërtuar ishte Bardhoshi si për probleme të mëdha (gjyqet) ashtu edhe për formalitete të vogla (përkthime zyrtare pune etj.). Ai, megjithëse pa diplomë avokati, do të fitojë mjaft gjyqe kundër firmave të ndryshme gjermane në favor të punëtorëve shqiptarë nga Kosova.

    Bardhoshi krahas punës së madhe, ishte tepër i angazhuar edhe në politikë, i njohur me pseudonimin Besniku. Që më 1977 bëhet anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, e më pas sekretar i degës së saj për RF të Gjermanisë. Zyrën e tij ai e shndërroi në një zyrë për informata të ndërsjella duke kryer aktivitete shhumë të suksesshme për Lëvizjen. Bardhoshi bashkëpunoi me organizata ndërkombëtare të punës dhe institucione të ndryshme qeveritare e joqeveritare. Kishte një bashkëpunim të regullt me Amnistinë Internacionale, së cilës i siguroi një mori dokumentesh autentike për të dënuarit politikë shqiptarë në Jugosllavi. Gjatë vitit 1981 së bashku me të vëllanë Jusufin, Kadri Zekën e shokë të tjerë u gjendën në ballë të protestave e demonstrimeve të mërgimtarëve në ndihmë e përkrahje të Kosovës për të fituar statusin e republikës. Në mënyrë aktive Bardhoshi shfrytëzoi aftësitë e tij si njohës i gjuhëve të huaja për t’ia bërë të njohur opinionit publik ndërkombëtar kërkesën e drejtë e të pamohueshme “Kosova Republikë”, që u shpreh në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, si dhe krimet e ushtrisë e të policisë serbe mbi popullsinë e pafajshme të pambrojtur shqiptare.

    Puna e shumëllojshme dhe e rëndë, gjendja e tij shëndetësore (për shkak të një tumori në kokë duhej të operohej në çdo pesë vite) nuk i dhanë mundësi që ai të shkruante aq shumë në shtypin ilegal, megjithatë e provoi me shumë sukses penën e tij në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës” dhe “Lajmëtari i Lirisë”. Kjo e fundit botohej ilegalisht nën kujdesin e Jusuf Gërvallës për shqiptarët në mërgim e për LNÇKVSHJ-në dhe ishte pa kurrfarë fitimi financiar, pasi shpërndahej ilegalisht dhe falas. Që të siguronte fondet e nevojshme për shtypjen e saj, Bardhoshi punonte edhe me kitarën e tij duke kënduar mbrëmjeve së bashku me një grup të rinjsh gjermanë, ndonjëherë deri në orën tre të mëngjesit, por “Lajmëtari i Lirisë” doli vetëm tre numra. Atentatorët kriminelë të UDB-së më 17 janar 1982 qëllojnë mbi tre lajmëtarët e lirisë. Nuk mjaftohen me këtë, por policia jugosllave nuk i lë të qetë edhe pas vdekjes. Për tri javë qëndrojnë në morg në pritje të lejes për t’u varrosur në Kosovë e cila nuk u dha. Dy muaj pas vrasjes së Bardhoshit lind vajza e tij Bardha. Sot, dhjetë vjet më pas, ne shohim se s’mundet e nuk do të mundet më asnjë forcë të pengojë shqiptarët që edhe ata si të tjerët të shohin ditë të bardha.

 

 

KADRI ZEKA DHE KOHA JONË

 

 Prof. asc. dr. Begzad Baliu

__________________________________________________________________________

 

Parantezë

 

    Janë disa momente historike që të kthejnë mbrapa për të menduar zgjidhjen e një problemi të shafqur rastësisht apo që shfaqet një për kohë më të gjatë. Historia kombëtare, pavarësisht prej dobësive të cilat e kanë përcjellur përbëhet prej disa momenteve të shndritshme tek të cilat detyrohemi të kthehemi ashtu sikur kthehet lexuesi tek veprat klasike të artit e të letërsisë, sahere që këto fusha të dijes materiale dhe shpirtërore përjetojnë kriza të caktuara.  Krizat nëpër të cilat po kalon jeta jonë materiale dhe shpirtërore njëkohësisht, përkatësisht kriza intelektuale, kulturore dhe politike, në të cilen po kalin shoqëria shqiptare në këtë udhëkryq të historiesë kombëtare, jo njëherë na kthejnë tek ngjarjet historike, veprat programatike dhe konceptet politike të dijes kombëtare, të shkruara sidomos dy shekujt e fundit.

    Jeta dhe vepra e Kadri Zekës, aktiviteti dhe konceptet politike të tij, i takojnë historisë së re të Lëvizjes Kombëtare, të cilës i kthehemi për shumë arsye.  Ajo shënon një prej nyjeve të rëndësishme të historisë kombëtare, një prej ndërlidhjeve komplekse, e cila e vlen të konsultohet sa here gjendemi para sprovave politike, sociale dhe koluturore. Një sprovë e ndërlikuar, para të cilës jemi gjetur tri vitet e fundit e vlenë të vlerësohet edhe në këtë shkrim në kontekst të jetës veprimtarisë atdhetare dhe sidomos në kontekst të koncepteve politike të tij.

 

Si të shkruhet për Kadri Zekën

 

    (Para se të shkruaj për Kadri Zekën kam pasur shumë dilema se si do të mund të shtroja këtë temë. Të shkruaj një jetëshkrim të tij, më dukej temë e tejkaluar, pavarësisht prej aspektit dhe modelit origjinal me të cilin do të mund ta shtroja. Të shkruaja për aktivitetin e tij historik, më dukej një përsëritje e zakonshme, pavarësisht prej anëve të reja që mund t’i sillja. Dëshiroja të shkruaj ashtu sikur do të shkruante Kadri Zeka në rrethana të sotme, nëse jo me konceptet ideologjike të tij, së paku me konceptet morale të tij). Duke njohur aktivitetin e tij politik dhe sidomos atdhetar të shkruar e të treguar nga brezi i tij, kisha kuptuar se Kadri Zeka, ashtu sikur edhe brezi i tij i atdhetarve nuk punonin për të hyrë në histori, por për të ndryshuar historinë, respektivisht për të bërë historinë e re. Në të vërtetë kështu edhe ndodhi, ata e bënë historinë jo duke u ngritur mbi te, por duke hyrë brenda saj, si bartës moral dhe historik të saj.

Mbi këtë aspekt mund të formulohen edhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” që e bënte Lëvizja nacionaliste e dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” ilegale të organizuar në grupet ilegale duke nisur me Grupin e Adem Demaçit e këndej. Pse mund të thuhet kështu?

 

Nacionalenverizmi pragmatist

 

    Brezi i nacionalistëve të dalë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, së pari e kishte humbur një luftë, duke i takuar krahut botëror që gjithashtu e kishte humbur këtë luftë, dhe duke qenë i shpërndarë e i papërkrahuar nga bashkësia ndërkombëtare, tash luftën për Shqipërinë e bënin në mënyrë vetijake, duke bërë llogaritë e gabuara të së kaluarës dhe mundësitë vetjake të kohës. Ndryshe nga këta, brezi i ri i ilegales që filloi aktivitetin atdhetar me grupin e Adem Demaçit e këndej, kishte të tjera koncepte: kishte një të kaluar të pastër dhe në histori mbështeteshin si iluministë. Ndonëse nuk ishin të njohur me konceptet politike dhe as nuk ishin të shtrënguar ideologjikisht pas koncepteve filozofike të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, ata pa përjashtim ishin pozitivist dhe revolucionar të konceptit enverist, që e njihnin vetëm punën, veprimin, aktivitetin revolucionar të lëvizjeve ndërkombëtare dhe vepronin si luftëtar besnik të atdheut deri në vdekje.

Zvicër 1980: Kadri Zeka duke shfletuar shtypin e ditës.

______________________________________________________

 

    Mbi këto parime ndërtohej edhe mendimi i Kadri Zekës. Ai nuk thotë se për të qenë atdhetar duhet t’i takosh kësaj apo asaj partie, duhet t’i takosh këtij apo atij grupi, duhet të jesh i mbështetur në këtë apo atë individ dhe në këtë apo atë ideologjie. Kadri Zeka, si luftëtar i denjë dhe i pandalshëm i lëvizjes këmbëtare shkruante: “Siç thotë patrioti dhe dijetari ynë i madh, Sami Frashëri, Atdheu nuk duhet t’i jap as varr atij që nuk ka dhënë për atdhe pikën e djersës apo gjakut kur ka qenë nevoja”.

    Pra, Kadri Zeka duke u mbështetur në rrethanat e krijuara të vendit e të kohës në të cilën vepronte, i ndërlidhte këto veprime, në shenjë të praktikës revolucionare të veprimit.

    “Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thurren atij e bënë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriot. Pra, vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike, mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqëve. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, s’e trathtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror”. (69)

    A mund të tingëllonte sot ndryshe dhe më pak e fuqishme thirrja e tij?

    Jo!

 

Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë

 

    Megjithatë, sot për fatin tonë të keq ky zë nuk po dëgjohet. Atdheu ynë dhe çështja shqiptare nuk është më pak e rrezikuar. Udhëkryqi në të cilin gjendemi nuk është më pak i komplikuar se ç’ishte dje. Por, zërat janë më të mbyrur, më të shterrur, madje më të çoroditur. Zëri që dëgjohet sot në emër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shpesh është zë antihistorik. Ai është jo vetëm në kundërshtim me thirrjen që bënte dje Kadri Zeka dhe brezi i tij, por edhe në kundërshtim me brezin që sot punon me sakrificë për ardhëmrinë tonë, si domosdoshmëri historike.  “Për ne zëri i Shqipërisë nënë, ka qenë dhe mbetet zëri i fuqishëm i vendit tonë amë...“ (7). 

    Çdo të thoshte sot Kadri Zeka?

     A do të thoshte se rrethanat e reja kërojnë qëndrim tjetër ndaj Shqipërisë. A do të ngrente sot konceptet e Akadmisë Serbe të Shkencave, të vitit 1986, për bazen historike të identitetit shqiptar të Dardanisë përkatësisht Kosovës, të ndryshme nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.

    Jo.

    Sigurisht as Ai nuk do të ishte anaronik me botën e sotme. Do të punonte dhe do të luftonte nga ana kombëtare edhe ai për Evropën e Bashkuar dhe praninë tonë në te, e megjithatë për një gjë do të ishte këmbëngulës: Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë.

    Sot, për fatin tonë të keq, ende nuk thuhet kështu. Sot zërat e tillë quhen zëra të vonuar, ndërsa thirrësit e tillë quhen romantik, anakronik etj. Sot në modë, janë konceptet “bashkëkohore dhe modorne njëkohësisht", janë zërat e klaneve, sot janë në modë mendimet, konceptet dhe flamujt e ngritur mbi interesat e përgjithëshme nacionale,  nga ish-titistë, që me shumicë dhe me bujë i kanë sjellë duke i nxjerrë edhe prej gijotine dhe i kanë vënë në krye të institucioneve kulturore dhe politike.

    E pa besueshme. Kemi besuar se ata dhe mendimet e tyre janë vjetruar për shkak të moshës, për shkak të kohës dhe për shkak të moralit të ri kombëtar. E kemi ditur se kanë qenë shumë, por që paskan mbetur kaq shumë zor të besohet edhe sot.

 

Mbi mardhëniet shqiptaro-serbe

 

    Kadri Zeka ka shkruar dhe i ka trajtuar një varg çështjesh të rëndësishme për kohën e tij, por me peshë edhe për kohën tonë. Duke qenë i përcaktuar për veprime konkrete ai as me historinë as me bashkëkohësinë nuk është marrë për të ndërtuar biografinë e tij. Me historinë është marrë për të konkretizuar nyjet e mardhënieve shqiptaro-serbe dhe ai këto i ka gjetur në Programin e Çubriloviqit, të cilin e patë botuar jo vetëm si kontribut të tij dhënë Lëvizjes, por edhe si sprovë për të komunikuar me lëvizjen dhe politikën ndërkombëtare përgjithësisht. Sot, në rrethana të reja të njohjes së mardhënieve shqiptaro-serbe këto nyje zgjerohen nga një program në disa programe të njohura të shkollës serbe dhe nga programet individuale, grupore dhe institucionale në konceptet politike antishqiptare të shteti, të institucioneve më të larta shkencore dhe të kishes autoqefale serbe. Mund të shkohet madje edhe më tej, tek një ndërdije antishqiptare- tek serbët, të shoqëruar me përbuzje ndaj gjithë asaj që është shqiptare, dhe tek një ndrëdije dhune - te shqiptarët, të shoqëruar nga frika dhe tmerri i krijuar historikisht nga dhuna shtetërore, kulturore dhe fetare që kanë bërë serbët mbi ta. Duke qenë njohës i mirë i këtyre mardhënive, nga aspekti tradicional (jetoi në kofi një kohë të gjatë, familjarisht i kujtonte shumë të freskëta pasojat e përndjekjes dhe dhunës së politikes gjenocidale serbe në qerekun e fundit të shekullit XIX dhe shekullin XX. Gjyshja e tij ishte njëra prej fëmijëve të gjetur në djepin e mbuluar me dëborë gjatë përndjekjeve serbe në fund të shekullit XIX etj. Ndjente gjithnjë një rrezik të përhershëm të përsëritjes së krimit serb mbi shqiptarët, prandaj edhe nuk do të befasohej nga përsëritja e krimit serb që do të ndodhë mbi shqiptarët edhe në fund të shekullit XX, por do të punonte me ngulm që ajo të mos ndodhte.

Si do të vepronte Kadri Zeka pas gjithë kësaj?

    Pavarësisht nga kjo Kadri Zeka, këtu nuk do ta gjente edhe pamundësinë e bashkëjetesës së serbëve dhe shqiptarëve. Ai ishte luftëtar i lirisë së popullit të vet dhe humanist i internacionalizmes proletare, prandaj edhe shoqërinë shqiptare kurrë nuk do të mund ta shihte ashtu të pastër, pa botën tjetër kulturore, shpirtërore dhe fetare.

    Për Kadri Zekën mardhëniet shqiptaro-serbe nuk do të shtroheshin si mardhënie të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, por si mardhënie të Kosovës dhe Serbisë. Për më shumë se një shekull Serbia ka përgatitur shpirtërisht, politikisht dhe madje moralisht, ka ushqyer dhe ka ndërsyer serbët e Kosovës dhe kolonët serb të sjellur nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi e Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Urrejtja e madhe, apo muri i gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk është krijuar në fund të shekullit XX gjatë Luftës së Kosovës. Jo. Gjatë është punuar për ndrtimin e tij. Për të është investuar gjatë, shumë dhe shumë kohë. Në ndërtimin e këtij muri teorikisht dhe historikisht është investuar pothujase pa ndërprerë më shumë se një shekull e gjysmë. Dhe nuk është investuar as nga një brez e as një bartës politik. Për ndërtimin e madh të murit të gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë invesatuar kryeministrat e ministrat serbë, politikanët e partive që janë quajtuar radikale dhe partive që janë quajtur paqësore, akademikët, shkencëtarët e të gjitha profileve, poetët dhe këngëtarët, priftët, etj., konceptet e të cilëve i kanë aprovuar, i kanë instrumentalizuar dhe i kanë vënë në jetë institucionet shtetërore (qeverëtë e të gjitha kohëve, Ushtritë, policitë, sigurimet e brendshme); institucionte shkencore (Akademia Serbe, Universiteti); dhe institucionet fetare (Kisha Ortodokse Pravosllave). Për shkak të këtij investimi të gjatë dhe të madh teorik dhe praktik muri i madh i gjakut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është vështirë të tejkalohet, dhe vështirë të tejkalohet sidomos nëse kjo kërkohet të kalohet nga ana shqiptare, sikur kërkojnë miqtë tanë, nëse në ngritjen e tij vazhdojnë të investojnë edhe më tej institucionet shtetërore, shkencore dhe fetare serbe, pa e ndjerë fajin për krimet e bëra mbi shqiptarët dhe popujt tjerë fqinje.

    Për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, Kadri Zeka do të punonte në krijimin dhe ndërtimin e raporteve të reja ndërmjet serbëve, që nuk do të ishin raporte ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve, sikur përpiqeshin t’i ndërtonin bartësit e politikës serbe gjatë shekullit të fundit, as si raporte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sikur pretendohet t’i ndërtojnë sot disa qarqe shqiptare pa koncepte historike për çështjen shqiptare dhe ballkanike; dhe më nund as si raporte ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sikur përpiqen t’i krijojnë disa qarçe ndërkombëtare të tezës së multietnicitetit të Kosovës, por si raporte ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që në të vërtetë janë raporte historike ndërmjet këtyre shteteve dhe popujve fqinje.

 

Evropa dhe arrivizmi ynë politik

 

    Po ta jetonte kohën tonë, Kadri Zeka gjendjen tonë të rëndë ekonomike, sociale dhe politike nuk do ta shpjegonte thjesht me parolla politike dhe me arrivizëm politik, sikur do të shprehej Jusuf Gërvalla. Duke shkruar për gjendjen ekonomike, sociale dhe politike të Kosovës së fillimit të viteve tetëdhjetë ai theksonte: “Kosova jo vetëm që nuk është e varfër, por me fushat dhe nëntokën e saj të pasur, ajo është krahina më e pasur në Jugosllavi. Ajo disponon me 64 % të rezervave të thëngjill-linjitit në Jugosllavi, 67 % të mineraleve të plumbit e të zinkut, 24% të hekurnikelit. Ajo prodhon miliarda kilovat energji elektrike e miliona ton xehe të ndryshme. Kosova prodhon 93% të të gjithë argjendit në Jugosllavi, e të mos flasim për fushat e gjëra, për lumenjtë e mallet e pasura të Kosovës”(60). Të dhënat e tij dhe të njohura sot edhe më gjerësisht tragojnë se Kosova nuk është viktimë e mendësisë së ultë politik, kulturore dhe arsimore. Ajo nuk është viktimë e një vendi që nuk mund të jetoj prej pasurisë natyrore dhe mendore të atij vendi dhe të atij populli. Kosova është viktimë e mosmarrëveshtjeve politiko-ushtarake të sferave ndërkombëtare të interesit. Kosova mund të jetoj edhe vetëm prej pasurive nëntokësore të saj edhe prej pasurisë mbitoksore të saj. Ajo mund të jetoj më në find edhe vetëm prej pasurisë së natalitetit dhe fuqisë rinore që ka.

    Çka do të bënte Kadri Zeka sot tri vjet pas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë. Do ta bënte jetën dhe politiken e arrivistit, sikur po bëjnë sot pasardhësit e tij politik, apo do të vazhdonte të punonte me konceptet dhe idealet, me të cilat punonte atëherë. Sigurisht nuk kishte pse t’i ndryshonte ato. Humanisti i radhëve të para, sot do të ngritej kundër gjendjes së mjerë sociale të popullit, që ishte bartës i luftës në Kosovë, por do të ngritej edhe kundër arrivizmit dhe politikës që përfaqëson sot brezi i ri i politikanëve të Kosovës. Do të ngritej kundër sjelljes së bashkësisë ndërkombëtare, që sikur shkruante atëher “flet shumë dhe nuk thotë asgjë”, ndërsa sot do të mund të thuhej “punon shumë e nuk bënë asgjë”. Nuk dua të them se ai do të ngrente çështjen e statusit politik të Kosovës. Për këtë do të punonte sot sikur ka punuar dje, pa anime, pa improvizime dhe pa u lodhur. Le të kujtojmë se ai ishte humanist dhe konceptet e tij ishin sociale, prandaj për asnjë kusht dhe në emër të çfardo trysnie e posti kurr nuk do të lejonte që të mbyllë sytë dhe veshët para gjendjes së rënd sociale të banorëve të Kosovës, sidomos të zonave të luftës. Zor të besohet se Kadri Zeka dhe shokët e idealeve të tij do të flenin të qetë, pas paraqitjes së çdonatshme të familjeve të dëshmorëve nën tenda, nën dyer të fqinjëve, në ahuret e përshtatura për të kaluar dimrin etj. Zor të besohet se Kadri Zeka dhe brezi i idealistëve të tij do të pajtoheshin të duronin një mjerim të tillë, nëpër të cilion po kalojmë, në emër të pritjes së marrveshtjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e statutit të Kosovës, në emër të të cilës profiter dhe matrapaz të të gjitha ngjyrave dhe idelogjive përfitojnë e stërpërfitojnë edhe me djersën tonë. Kosovës i duhet liria dhe mundësia për të punuar. Kosova nuk ka nevojë për dhurta, Kosova ka nevojë për ndihma  dhe përkrahje që si dje, si sot ju jepen madje edhe rajoneve të varfëra të shteteve të pasura të Evropës, Çoftë edhe për shkak të një vere të thatë apo dimri të ftohetë. E në Kosovë ka ndodhur termet, ka ndodhë përmbytje biblike nga dora e njeriut.

    Prej “dhuratave” të tilla nuk përfitojnë qytetarët e Kosovës, prej dhuratave të tilla përfitojnë individët e të gjitha ngjyrave dhe shumë shumë përfitojnë klanet, grupet dhe krijesat që organizohen brenda natës, që përfitojnë brenda natës si me shkopin magjik, që janë bartëse të interesave të caktuara klanore e mafioze dhe politike e ideologjike. Prej “dhuratave” të tilla përfitojnë përfitojnë individët që me gjunjë dhe brryla janë aty ku kanë synuar gjithmonë për të shërbyer: aparatqik, pothador, mashtrues dhe denoncues.

    A do të heshte Kadri Zeka sot dhe çka do të thoshte ai sot. Prej njerëzve të tillë, -reagonte ai, - prej klaneve dhe grupeve të tilla, më shumë se prej askujt tjetër, i vjen rreziku Kosovës dhe i mbyllen rrugët për synimet e saj historike. Ata që janë mësuar të përvidhen deri dje në politikën e Beogradit dhe shkollën e saj përvidhen sot dhe shfrytëzojnë për për interesa individuale dhe klanore edhe dhuratat që na i jep bota. Për shkas se ne i dime pajojat tragjike në të cilat na kanë quar mashtruesit, pithadorët dhe përfituesit e tillë, nuk kemi se si të mos dëshprohemi dhe të mës shqetësohemi sot për të ardhmen tone.

    Gjatë, tepër gjatë të tillët e kanë mashtruar Beogradin për ndërtimin e bashkim-vllazërimit ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, por më në fund, mashtrimet, gënjeshtrat, demagogjinë dhe përfitimet e tyre persoanale, familjare dhe klanore i kemi paguar si popullm e gjak deri në gju dhe me përndjekje biblike. Me të njëjtën demagogjike sillen e përvidhemi sot shumë individ të kësaj shkolle, dhe të njëjtat premtime i jepen bashkësisë ndërkombëtare. Është e kuptueshme prandaj pse shqetësimet tona rriten. Kemi të drejtë. Demagogjinë e tyre si individ dhe si grupe, si popull do ta paguajmë më shtrenjtë se çe kemi paguar dje.

 

Dëshprimi i dhe vendosmëria e madhe

 

    Në këtë rrjedhë, ai sigurisht do të dëshprohej shumë, për mungesen e guximit qytetar përgjithësisht të inteligjwencies për të përkrahur Lëvizjen Ushtarake në Kosovë gjatë luftës, por do të dëshprohej edhe më shumë për shkak të mungesës së guximit intelektual të kësaj inteligjencie për të përkrahur rezultatet e luftës. Në këtë situat ai do të zgjedhte rrugën e punës dhe të aktivitetit të pandalshëm, dhe nuk do të dorëzohej para përndjekjes së përndjekësve të ri të mendimit politik, nuk do të dëshprohej prej përndjekësve të përditëshëm, sikur janë dëshpruar intelektualët e paktë që viteve të fundit kanë guxuar ta artikulojnë drejt dhe guximshëm mendimin e tyre politik dhe kulturor. Në vend të dëshprimit ai do ta ftonte muzen letrare të Jusuf Gërvallës, si dhe filozofinë e këmbëngultësisë të Rexhep Males, për t’i bërë kritikën shoqërisë shqiptare të kohës sonë. Besojmë se njëra prej kritikave më të rendësishme do të ishte kritika e shoqërisë kosovare të kurseve. Në Kosovës ka shumë vjetë që jetohet prej arsimimit të improvizuar. Në Kosovë, ndryshe nga ç’pritej që të ndërtohej shkolla e vërtetë kombëtare e nivelit evropian, është ndërtuar shkolla të nivelit më të ulët. Vetëdija kulturore, shoqërore dhe sidomos ekonomike e politike po krijohet me kurse dite e nate. Kurset e tilla, të cilat përgjithësisht quhen trajnime, të kujtonë atë shoqëri që u krijua me të njëjtat përmasat dhe metodat, pas Luftës së Dytë Botërore, e ne i dimë rezultatet e saj sot. Në të vërtetë ne i dimi pasojat tragjike nëpër të cilat kemi kaluar dhe sidomos pasojat me të cilat kemi përfunduar. Tashmë ne i dime pasojat e kursistëve të kësaj shkolle dhe të shkollave të tilla, s’kemi si të mos jemi të dëshpruar prej kurseve dhe kursistëve të rinjë, të cilët brenda natës marrin fatin e shoqërisë së sotme në duart e tyre, duke lënë mënjanë dhe në rrugë, individët e arsimuar me vite të tëra në Kosovë apo jashtë saj.

 

Çdo të bënte Kadri Zeka në këtë rast?

 

    Do të punonte shumë që të ndërtohet vetëdija politike e brezit të ri, por nuk do të pranonte kurrë që lëvizja e re kombëtare të bëhej pa praninë e studentëve, sikur bëhet sot. Do të ishte rinia, përkatësisht studentët, ajo që do të vendoste për fatin e tokave të shkëputura të Kosovës, do të ishte rinia ajo që do të ndërprente gjykimet e drejtuesve të luftës, përkatësisht gjykimin simbolik të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Do të ishte ai në krye të klasës punëtore të Kosovës që do të vendoste për fatin e pasurisë nëntoksore dhe mbitokësore të Kosovës, do të ngrihej kundër gjendjes së mjerë të rreth 70% të popullit të Kosovës, standardi i të cilës bie edhe për shkak të ngritjes pa mbulesë të standardi të një përqindjejeje të vogël vendasish, të cilët punojnë me të huajt pa pasur përgjegjësi për Kosovën dhe standardin e saj të përgjithshëm etj. Më pare se sa të ishte në krye të Partive politike, më pare se sa të ishte në krye të institucioneve shtetërore, më pare se sa të barrikadohej në ndonjë shërbim në drejtoratet të cilat në të vërtetë i drejtojnë kryesisht të haujt, ai do të ishte në krye të aktiviteteve të kalsës punëtore, në krye të organizatave që mbrojnë vlerat e luftës dhe fitoren e saj, në krye të organizatave që organizatave që përcjellin dhe mbrojnë materialisht dhe moralisht familjet e dëshmorëve etj.

    Në të vërtetë, Kadri Zeka në kohën tonë, do të ishte aty ku ka buruar dhe buron lëvizja morale dhe pragmatike e çështjes shqiptare.

 

 

POEZI QË MORI BEKIMIN E NËNËS

 

 Shkruan: Pandeli Koçi

__________________________________________________________________________

 

    Në pemën e shëndetshme të poezisë shqiptare që kultivohet në Kosovë, në Maqedoni e në trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, poeti Jusuf Gërvalla është një degëz me fryte poetike të freskëta, e cila flet për talent të veçantë krijues e individualitet të spikatur poetik. Ka poetë që shpërthejnë me shkulme nëpërmjet vargjeve; ka të tjerë që dinë të prekin telat më të hollë të harfës së ndjenjave; ka disa të tjerë që kujtojnë një vatër të ngrohtë rreth së cilës bulojnë rrethimet e shtruara gjithë urtësi dhe mençuri. Poetët kanë profile e temperamente të ndryshme, por, kur fjala poetike është e ngjizur në botën e madhe të popullit të vet dhe rrezaton fuqishëm me art të vërtetë shpirtin e gjerë të kombit me idealet e shpresat, me ëndërrat e parealizuara e mendimet e thella, me dëshirat e interesat e tij jetike, ajo e gjen rrugën, hyn e mbetet në ndërgjegjen e popullit.

    Jusuf Gërvalla ka ecur në hullinë e asaj poezie e cila brenda thjeshtësisë e transparencës së vargut fsheh vlera poetike me domethënie të pasur përmbajtësore. “Jusuf Gërvalla, – shkruan shkrimtari e kritiku Mehmet Kraja, - ka zgjedhur rrugën e komunikimit sa më të madh me lexuesin: të rrëfejë më shumë se të poetizojë, të këndojë më shumë se të vargnojë dhe t’i drejtohet më shumë qenies shpirtërore të lexuesit”. Duke njohur kushtet e mjedisin ku ka lindur e është rritur dhe nga se është ushqyer poezia e Jusufit, nënkuptohen e zbërthehen rrëfimi e mesazhi poetik, sistemi figurativ e nënteksti i qëllimshëm.

Jusuf Gërvalla (1945 - 1982)

___________________________________________

 

    Kjo poezi dalohet për qetësinë sipërfaqësore, nën të cilën vlojnë gjakimet e ndezuara, lëvizja e papërmbajtur e ndjenjave të mprehta, qetësia e siguria e një mendimi që duket e zhduket, po gjithsesi është i qenësishëm e shtrihet i ngrohtë gati në çdo faqe të librave të tij. Dashuria e drithshme për jetë, etja e pashuar për dritë e lulëzim, malli i thekshëm për vendin, shpresa e gjallë për të ardhmen krijojnë shtratin e botës së tij, sa intime aq edhe shoqërore.

    Çdo varg i poezive me motivet e vendlindjes është i përflakur nga dashuria për kullën e vatrën, për rrugët e përbaltura e me gjurmë qerresh, për të qarat e foshnjave dhe telat e çiftelisë. “Një tra i lagur e i nxirë me merimanga mbuluar” e bën të ndjejë mall e dhembje, por gjithsesi poeti është i bindur se jeta dhe dashuria, bukuria e bujaria janë të qenësishme në shtëpinë e tij, se:

“Aty ka dhe zëra të rinj

mes fletoresh të shkarravitura

duar shtalbe si fieri

Ka vajza të njoma,

nuse të bukura e gra të veja…”.

    Dhe më tej: “ka në vatrën time plot prush mbuluar nga hiri”, çka shënon ekzistencën, edhe pse të pashfaqur, të vlerave që presin çastin e shumëpritur. Shtëpia - kullë ka marrë kuptimin simbolik të qëndresës dhe të prirjes së vetvetishme drejt dritës së përparimit:

“Ashtu e lartësuar ajo i bie territ si pirg drite

me ato shkallë që përherë shpien lartësive”.

    Mbi kullën shqiptare kanë vërvitur ndër shekuj hekur, zjarr e helme dhe në themelet e saj janë derdhur lumenj gjaku, e megjathatë ajo jo vetëm që ka qëndruar në këmbë, po edhe më tepër është forcuar e lartësuar. Ndaj poeti këndon:

Nën themelet e saj rrjedh ujë i ëmbël

dhe nën çdo dritare përvjet rritet nga një mollë”.

Poet beson tek e ardhmja, beson se:

“nga dritaret e vogla do të lihet më shumë hapësirë

pastaj për çdo skutë do të ketë më shumë dritë

do t’i lihet rrugë diellit më shpesh të vijë për drekë

në dysheme tek rrinë këmbët e gjyshes, s’do të ketë më lagështi”.

    Lidhjet shpirtërore të heroit lirik me tokën e vet kanë gjetur shprehje të qartë poetike me mjaft poezi, po sidomos në “Rruga që shpie në livadh”, “Muret, dritaret, uji…”, “Shtatë net në Dubovik”. Atdhe, populli yt është ai që të ushqen me aspirata të bulura njerëzore, që s’të tradhton kurrë. Poeti është i entuziazmuar sepse:Ö

“…ti ke ecur - ecur

Drejt gjakut tim, ndër damarë më ke qarkulluar

Plot jetë, plot dritë, plot kthjelltësi”.

Etniteti kombëtar, liria, krenaria e të qenit shqiptar janë të paprekshme; ato qëndrojnë mbi jetën dhe vdekjen. Domethënia e porosia e vargjeve:

“gjakun që vlon në fjalë,

që prek borën

që djeg gjethin

mos e harro.

Është amaneti yt, baba!”

    burojnë nga një bindje e thellë në drejtësinë e idealit atdhedashës.

    Syri vëzhgues i poetit pasqyron, po edhe zhbiron në dukuritë e ralitetit që përjeton gjallërisht. Këtë e kupton mirë nga disa reflekse imazhesh, si ajo e endacakut me setër të grisur, e emigrantit që endet për një copë bukë nëpër botë, e ironisë therrëse të gjyshit (“kur s’ke çka ha, nuk lipset ngi?”), e vrasjes së dyshimtë në shtëpinë e Lecit, që pandehej se kishte fshehur thesar, e zhgënjimit të nuses së murosur në urë, që, e thradhtuar, u gjet në agim e rrëzuar dhe në sa e sa detaje e hollësi realiste. Siç shihet, vargu i Jusuf Gërvallës karakterizohet nga një qëndrim veprues ndaj jetës. Kur e lexon atë të krijohet së pari përshtypja sikur ai pikturon “natyra të qeta”, po kur thellohesh në to, të bie në sy prirja për të përsiatur, për të kaluar nga detajet e figurat konkrete, në mendime e përgjithësime, që, edhe pse shprehen me gjuhë alegorike e metaforike, përsëri ia arrin qëllimit. Pavarësisht se poeti dëshmor nuk arriti ta mbrojë ligjërimin e vet, përsëri ai na thotë se përjetësisht vjen drejt nesh

“me një det këngësh që më vlojnë në gji”.

Le ta mbyllim këtë fjalë me vlerësimin e kritikut të njohur Ali Aliut për Jusuf Gërvallën:

Po, është fare e sigurt se fjala është për një botë dhe për një sensibilitet tejet të pasur, të ndjeshëm dhe të nuancuar poetik që disponon aftësi dridhjeje edhe nga ngacmimet më të padukshme, nga disonancat më të lehta në jetë e të njeriut. Dhe pikërisht kjo është ajo që lë të besohet dhe të shpresohet për të nesërmen e këtij poeti…”

 

 

KADRI ZEKA - NJË JETË NË SHËRBIM TË POPULLIT

 

 Shkruan: Agim Sylejmani

__________________________________________________________________________

 

    I lindur në një familje të varfër fshatare në Poliçkë të Kamenicës, por patriote të flaktë, Kadri Zeka pati fatin të frymëzohej që në vegjëli. Si i vogël iu ndejti pranë burrave të shtëpisë në bisedat dhe ndejat e pasdrekës në odë. Në këto ndeja e kuvendime Kadriu i vogël pati rastin të dëgjonte shumëçka nga ngjarjet, personalitetet dhe historira të shumta që në shkollë nuk përmendeshin. Që në vegjëli, pra, Kadriu u ballafaqua me një të vërtetë të hidhur, se shqiptarët dhe Kosova, edhe pranë luftës së pandërprerë ndër shekuj, qenkan të robëruar e të shtypur, të shfrytëzuar e të ndjekur.

    Kadriu, si dhe shumë e shumë fëmijë të tjerë, u rrrit pa fëmijëri, pa lodra, pa gëzimin e fëmijës. Kjo fëmijëri e burrërimit Kadriun e drejton në rrugën e luftës e të revolucionit. Që në bankat e gjimnazit njihet dhe lidhet fort me kryetrimin e Gjilanit kryengritës, Rexhep Malën, dhe përmes tij edhe inkuadrohet si i ri në radhët e organizuara të revolucionarëve të Kosovës, epitet të cilin ai do ta bartë me dinjitet deri në fund të jetës së tij.

 

 

    Që si gjimnazist Kadriu mori pjesë aktive në aksionet konkrete që ndërmori Grupi Revolucionar i Kosovës, anëtar i të cilit ishte. Këtu erdhi në shprehje vendosmëria, guximi, konspiracioni, gjakftohtësia dhe shkathtësia e Kadriut si revolucionar i devotshëm. Kadriu ishte lexues i pasionuar dhe njihet si luftëtar i nxënies së dijeve. Ai vazhdimisht ishte i angazhuar edhe me ngritjen personale ideopolitike dhe revolucionare. Dijet e fituara do të vijnë më vonë në shërbim të gazetarisë së tij revolucionare ilegale, ku ai u shqua me një talent të jashtëzakonshëm. Gjatë kohës kur punoi në Radio Prishtinë, ishte i nxënë edhe me veprimtari  të ndryshme ilegale, ku ai u shqua me një talent të jashtëzakonshëm. Puna në Radio Prishtinë, ku merrej me përgatitjen e emisioneve për bashkatdhetarët, ishte tejet e vështirë për të, sepse nuk mund të shprehte lirisht atë që e mendonte, edhe pse me zgjuarësi të rrallë thoshte shumëçka që censurës së rreptë policore nuk i pëlqente fare. Atë që nuk e thoshte dot përmes emisioneve të radios, e thoshte përmes shtypit ilegal revolucionar të kohës.

    Gjatë kësaj kohe ai shquhet edhe si organizator profesionist dhe konspirativ i thellë. Në mesin e rinisë studentore të Prishtinës, ku edhe ishte i caktuar të vepronte, veproi me plot sukses dhe gjurmët e veprimtarisë së tij do të përhapen shumë shpejt në të gjitha viset nga vinin studentët. Kështu edhe e zgjeroi rrjetin e tij organizativ me të rinj, duke freskuar edhe më tej Organizatën Marksiste - Leniniste të Kosovës, sekretar politik i së cilës ishte. Pas një veprimtarie të frytshme revolucionare gati dhjetëvjeçare të ilegalitetit të thellë, Kadri Zeka detyrohet të arratiset nga Kosova dhe veprimtarinë e tij revolucionare ta vazhdojë në Perëndim, në mesin e punëtorëve shqiptarë kurbetçarë. Tani Kadriu kishte mundësitë më të mira për të vënë në shërbim të luftës aftësitë e tij gazetareske dhe propagandistike. Tanimë ai del hapur me shkrimet e tij, të cilat do të jehojnë fuqishëm në mesin e punëtorëve kurbetçarë, e sidomos në Kosovë.

    Pos tubimeve të punëtorëve në radhët e organizuara dhe tubimeve që organizonte për punëtorët shqiptarë me rastin e festave dhe datave të shënuara të historisë sonë kombëtare, Kadriu merret aktivisht edhe me profesionin e tij propagandistik dhe gazetaresk. Që më 1980 fillon botimin e organit të OMLK-së “Liria”. Boton shqipërimin e parë të elaboratit famëkeq “Shpërngulja e shqiptarëve” të neofashistit serb Vaso Çubriloviq, parathënien e të cilit e shkroi vetë Kadriu. Të njëjtin vit (1980) boton përmbledhjen e poezive të revolucionarëve të Kosovës me titull “Këngët e lirisë”.

    Kur shpërtheu revolta e popullit shqiptar në Kosovë, në pranverën e kuqe të vitit 1981, Kadriu me shokët e tij, pa u hamendur hidhet në aksione konkrete të përkrahjes së popullit dhe kërkesave të tij më se të ligjshme, duke organizuar e udhëhequr protesta e demonstrata nëpër metropolet evropiane, përmes të cilave opinioni evropian njihej me kërkesat e vërteta të popullit tonë, të shprehuara hapur nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës. Gjatë vitit 1981 Kadriu organizoi dhe udhëhoqi nëntë demonstrata dhe shumë e shumë tubime e protesta të punëtorëve shqiptarë.

    Meqë punonte edhe nga 12 orë në ditë, për veprimtarinë dhe aktivitetin e tij patriotik e gjente kohën e gjumit të cilën nuk e kursente për asnjë moment. Sytë e tij të mavijosur nga pagjumësia dhe lodhja tregonin qartë për jetën e tij shpirtërore dhe fizike. Jetën e një njeriu patriot e revolucionar të devotshëm që tërë forcat e veta mendore e fizike ia kishte kushtuar luftës së shenjtë për lirinë dhe pavarësinë e popullit dhe Atdheut. Edhe pse jetoi shkurt, jeta e tij dhe veprimtaria ishin shumë të frytshme dhe të tëra në shërbim të kësaj lufte. Pos organit “Liria”, më 1981 Kadriu botoi edhe përmbledhjen e artikujve “Jehona e ngjarjeve në Kosovë”.

    Gjatë vitit 1980-1981 Kadriu pati një bashkëpunim të ngushtë revolucionar me Jusuf Gërvallën, i cili posa e lexoi numrin e parë të organit “Liria” ndërpreu botimin e gazetës “Lajmëtari i lirisë" dhe e ndihmoi aktivisht Kadriun në botimin e organit “Liria”. Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i ngushtë vëllezëror e revolucionar i Kadriut e Jusufit ishte bërë halë në sytë e UDB-së. Prandaj edhe nuk është e rastit pse edhe kreu aktin mizor të atentatit kundër të dy këtyre figurave nga më të shquarat e kohës.

Lavdi në vite e shekuj veprës së pavdekshme të dëshmorit Kadri Zeka!

 

 

KADRI ZEKA

TRIBUN I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

 

Shkruan: Albana Krasniqi

__________________________________________________________________________

 

“… Edhe   njëmijë herë po të bjerë

ai përsëri do të ngritet

dhe vdekjen nuk e njeh…”

 

    U bënë dhjetë vjet që çdo 17 janar përmes rrugëve të Perëndimit mërgimtarët, që padrejtësia e shekujve i degdisi larg, çajnë qiellin e Evropës me thirrje: “Jusuf, Kadri, Bardhosh, Lavdi!” Atje, në Shtutgartin e largët tre varre prehen pa të vdekur; shpirti i tyre nuk vdes dhe kurrë asnjë ditë pa lule varret nuk mbeten: kujdesen nënat e mërgimit për ta.

    Të dashur vëllezër, tek dua t’ju flas për Kadriun, më bien ndërmend vargjet e Podrimes së madh: “… unë biri ytë, Kosovë, / ta ndiej gjakun që të vlon në gji…!”

     Kadri Zeka, biri 28-vjeçar i Kosovës martire, u lind në fshatin Poliçkë, komuna e Kamenicës, më 25 prill 1953. Ka kryer Fakultetin e Drejtësisë dhe bën pjesë në gjeneratën e parë të të diplomuarve në Universitetin e Kosovës.

    Zeka, apo Zeça, siç e thërrisnin e punëtorët, si çdo shqiptar, si çdo intelektual i Kosovës, që në rininë e tij të hershme e ka një aktivitet të gjerë e të shumanshëm. Me një pjekuri që rrallë e kanë moshatarët e vet, qysh në moshën 15 vjeçare organizohet me shokë për të bërë diçka në Kosovën e robëruar. Prangat e skllavërisë ua gjakosnin duart djelmoshave.

    Ata bënë një brez heronjsh. Kadriu, i vrarë nga UDB-ja më 17 janar 1982; Hydajet Hyseni u burgos për shumë vjet; Rexhep Mala, i vrarë më 12 janar 1984 nga UDB-ja së bashku me Nuhi Berishën; Kadri Osmani i burgosur dhe i terrorizuar nëpër burgjet serbosllave. Kronika të dhembshme për shumë jetë njerëzish.

     Pavarësisht se çfarë emrash mbanin organizatat e asaj kohe, ato ishin dhe angazhoheshin për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar me Shqipërinë nënë. Kadriu qe njëri nga prijësit e këtyre organizatave. Influenca e Shqipërisë Nënë dhe besimi tek ajo qe i madh për Kosovën. Shqipëria qe ideal për ta, ashtu siç qe bashkimi kombëtar aspiratë shekullore e kosovarëve.

    Ideologjitë mund të dalin mode e të hyjnë prapë, por vetëm një gjë është e përjetshme, e pandryshueshme dhe kjo është krenaria e të qenit shqiptar, dashuria dhe fanatizmi për lirinë dhe çdo gjë të këtij trualli ku na ka rënë koka. Tekefundit, çdo ideologji duhet të ketë në themel interesat e kombit. “E ç’rëndësi ka kush i organizoi demonstratat e 1981-shit. Të gjithë ishim degë të një trungu, - thotë Hydajt Hyseni – në to ishte populli me vitalitetin dhe pamposhtësinë e tij. Vajzat me flamur hidheshin mbi tanke dhe shumë mbetën si shqipe me krahë drejtuar nga qielli, sikur t’i falen Diellit, zakoni i lashtë ilir”.

 

Kadri Zeka e Hydajet Hyseni (1980)

______________________________________

 

    Kadriun, kjo dasmë e madhe e gjeti jashtë Kosovës. Ishte i arratisur si i përndjekur dhe vazhdonte veprimtarinë në mërgim. Mërgimi kishte nevojë për të, për fjalën e tij, për zërin e tij. “Një presioni jashtëzakonisht të madh nga shumë drejtime i eksponohet luftëtari i lirisë kur detyrohet që aktivitetin patriotik ta zhvillojë jashtë Atdheut. Ndodh që nga ky presion disa të bien, luftëtar besnik mbetet vetëm ai i cili në çdo hap bazohet në interesat e popullit”, -  thotë Jusuf Gërvalla.

    Në prill të ’81-shit jehona e zërave sa njomëzakë, aq dinamikë të Prishtinës do të shkundullonte edhe Evropën plakë. Kadriu u priu demonstratave. Në vitin 1974 në Kosovë ilegalët nxirrin “Zërin e Kosovës”. Kadriu më 1980  fillon nxjerrjen e gazetës “Liria”. Derisa si gazetar i Radio Prishtinës ishte i ngrkuar për përgatitjen e emisioneve për bashkatdhetarët dhe artikujt e tij ishin të shkruar në mënyrë të tërthortë, në mënyrë alegorike e simbolike, por me një mendim të thellë, tani i jepej mundësia të shprehej drejtpërdrejt e hapur. Gazeta “Liria” u bë trumbetuese e çështjes kombëtare. Në çdo familje mërgimtare zëri i vërtetë i Kosovës hynte përmes faqeve të kësaj gazete. Në anën tjetër, gazeta hynte ilegalisht në Kosovë dhe jo rrallë kthehej në program informacioni, pune e veprimtarie.

    “Vëllezër e motra, fati i zi nuk është asgjë e re për popullin shqiptar në Jugosllavi. Atij edhe më parë i ka munguar kafshata e gojës, rrobat e trupit dhe kulmi mbi kokë. Por kurrë nuk i ka munguar vullneti për ta çliruar vendin nga sunduesit e huaj. Armiku pa mëshirë ka shkelur mbi pasurionë e tokës dhe nëntokës së begatshme shqiptare. Qyteti, fshati dhe shtëpia e shqiptarit kudo që është, po gdhihet sot me milicin dhe tanksin te porta, të gatshëm për t’ia shtuar sot Kosovës gjëmën”.

    Këtë fjalë Kadriu e ka mbajtur para punëtorëve pak ditë para rënies së tij. Kadriu kishte aftësi të veçantë për t’u bërë njësh me masën, me punëtorët, intelektualët, fëmijët e gratë, duke gjetur një mënyrë tepër origjinale të komunikimit. Atë e vranë duke menduar se vranë mendimin patriotik. E vranë se deshën të vrasin Lëvizjen.

Por,

“Kur vdekja ra mbi plisat

E plisat nuk bien dot

Qëndresa është sa Kosova” - thotë poeti.

    Më 2 janar 1982 martohet me Saime Isufin, apo Bule Zekën, siç e njohin punëtorët bashkëluftëtaren e tij. Dasma qe tepër modeste. Krushq qenë mërgimtarët me mallin e pashuar për vendlindjen. Ishin mes shokëve të idealit e të luftës edhe Jusufi e Bardhoshi, Hasani, Fahredini e shumë të tjerë. Disa ditë më pas udhëton për në Gjermani të takohet me vëllezërit Gërvalla. Kishte ardhur koha që grupet në mërgim të bashkohen në një, dhe vetëm ashtu të bashkuar mund t’i prinin luftës bijtë e Kastriotit. Por plumbat ua prenë jetën, ndërsa populli këndoi:

“S’do të lëmë pa marrë hak

Pa larë atë gjak që u derdh në Shtutgart!”

Do ta mbyll fjalën time po me Podrimën:

“A heshtin muzat

kur pikon gjaku

kur prangat i vihen buzëqeshjes

Kur shtohen Varret, vajet

Nuk heshtin muzat

Hesht arsyeja

Mjafton të jesh pakëz njeri

E ta kuptosh gjuhën e tmerrit

Peshën e krimit ta ndjesh

Si të shtyp vazhdimisht kah zemra e dheut”.

 

 

ROMANI “RROTULL” I JUSUF GËRVALLËS

 

Shkruan: Lumira Berati

__________________________________________________________________________

 

    Nuk do të ishte paraqitur i plotë portreti i Jusuf Gërvallës, i këtij personaliteti të kulturës shqiptare nëse do të lihej mënjanë romani “Rrotull”.

    Për Jusuf Gërvallën si romansier kemi vetëm një dëshmi - romanin “Rrotull”, të lënë në dorëshkrim dhe të botuar më 1983 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Ndonëse e vetme, kjo dëshmi, me karakteristikat e saj, me vulën e individualitetit që bart, me impresionet dhe shijen e ëmbël që të lë në buzë proza e këtij autori, mund të skicojmë sadopak profilin e këtij romansieri kosovar, të cili vdekja tragjike ua vodhi me të pabesë letrave e kulturës shqiptare, popullit të vet, kur ende ishte në moshën më të plleshme të krijimtarisë. Ndonëse sprovë e parë në llojin e prozës së gjatë, në romanin “Rrotull” ndihet dhe bartet shpirti i poetit, që gjen shprehje në gjithë atmosferën e veprës, në lakonizmin e mendimit, në thellësinë e ndjenjave të personazheve, në vizatimin e ambienteve dhe sidomos të peizazhit, në shpërthimet emocionale të autorit dhe të heroit etj.

    I konceptuar sipas arketipit të përrallës popullore dhe përkatësisht të asaj me protagonist heroin e njohur, Qerosin me bëmat e tij, ku subjektin e sundojnë të papriturat, ku kufiri midis reales dhe ireales kapërcehet në mënyrë të natyrshme, përmes një lirizmi të ngrohtë e një ironie të hollë, por të fshehtë, ky roman sjell elemente të reja dhe origjinale në lëmin e poetikës së formës. I vështruar nga ky aspekt, romani sjell risi sidomos për mënyrën e rrëfimit dhe rolin e rrëfyesit në të, për llojin e detajeve, për karakteristikat e ligjërimit, për shfrytëzimin e elementeve të eposit popullor etj. Ndërsa në aspektin tipologjik të përmbajtjes romani “Rrotull” bën pjesë në familjen e madhe të romanit etologjik, moralo-përshkrues shqiptar, në të cilin autorin e shqetësojnë probleme aktuale të fshatit kosovar, si varfëria, thashethemet, mendësitë e vjetra, kurbeti etj., dhe gjejnë pasqyrim vetitë morale të personazheve, krijohet një vështrim më i plotë për heronjtë.

 

Jusuf Gërvalla (1945 - 1982)

__________________________________________

 

    Siç e thamë edhe më lart, ky roman dallohet nga mënyra e re e konceptimit dhe e trajtimit artistik të realitetit. Autori procedon duke shfrytëzuar një thashethem, i cili luan një rol të veçantë në rrëfim, si nyje nga ku nis konflikti dhe në zbulimin e personazheve. Paraqitja e aktivitetit të heronjve, e jetës së tyre shpirtërore realizohet në shtratin e rrëfimit popullor. Ashtu si edhe në përrallën popullore vepron befasia, në rrëfim ndërkallen situata të papritura, të cilat shërbejnë për të shtyrë përpara veprimin dhe për të gjallëruar atë. Ndonëse Vijuji, fshati dhe fshatarët e tij paraqiten herë si në përrallë e herë si në realitet dhe këmbimi i planeve bëhet me spontanitet artistik, pa sforcime të subjektit, dhe ngjarjet marrin jetë përmes mahive dhe rrotullave, konotohet një atmosferë e vërtetë sociale-ajo e fshatit kosovar, plot vlime shoqërore, për të cilat vuan aq shumë shpirti i shqetësuar i autorit. Ndihet kjo dhembje në të gjithë pëlhurën artistike të veprës, në çdo ind të saj, në eklamacionet psherëtuese të autorit apo heroit, në çdo kapitull, në shpeshtësinë e përdorimit të fjalëve që shprehin dhimbje, brengë, mërzi, në shfrytëzimin e dendur të detajit të yllit që bie në lumin e përroskës me bishtin e vetmisë. Por aty-këtu midis kapitujve dhe shpotive që ndjekin njëra-tjetrën, përmes të cilave vihen në lojë zakonet e prapambetura, mënyra e të jetuarit apo marrëdhëniet midis njerëzve, nuk zotëron dëshpërimi i mjeruar i parrugëzgjidhjes apo parrugëdaljes. Besimin në këta njerëz sa të ashpër në shpotitë e tyre, aq humanë dhe fisnikë në seriozitetin e tyre, autori ia zbulon lexuesit përmes raporteve që krijohen në mes të Ketës dhe Troshit dhe ngjarjeve të tjera të subjektit. Ndonëse të dhëna përmes një velloje humori intrigues dhe herë-herë në mënyrë paradoksale, bëmat e autorit, marrëdhëniet e tij me bashkëfshatarët, kanë karakter të theksuar bindës e realist. Përmes kësaj mënyre të re dhe origjinale procedimi autori hedh dritë mbi anët negative të shoqërisë dhe pikërisht të fshatit kosovar të zhytur prore në varfëri dhe injorancë.

    Ajo çka befason në këtë roman është edhe fakti se autori, ndonëse përmes një fabule të thjeshtë, arrin të depërtojë në të fshehtat e shpirtit njerëzor, në thellësi të botës së tij të brendshme, nga ku buron dhe ai psikologjizëm i thellë që karakterizon gjithë romanin. Rrëfimin e bëjnë më të larmishëm digresionet apo lektisjet shpirtërore lirike e herë-herë me nuanaca filozofike sa të heroit, aq edhe të vet autorit rrëfyes, si një përpëlitje këmbëngulëse për të gjetur shtigjet e daljes nga ajo gjendje në të cilën ndodhen. Realiteti shoqëror i një kohe të vështirë shpaloset në roman jo përmes tabllove të gjera epike e ngjarjeve të rendësishme historike, por përmes ndodhive të përditshme, në pamje të parë të rëndomta, nga jeta e një njeriu të zakonshëm, të varfër, rreth të cilit sapo lind, thuret një thashethemnajë me elemente fantastike që e ndjek gjatë, deri kur burrërohet. Autori të fut në atmosferën shoqërore të fshatit kosovar përmes një rrotulle a mahie të fëmijës-dragua, që zgjon kërshërinë e gjithë fshatarëve, e cila shërben si një nyje subjektore rreth së cilës zënë e shtresohen ngjarjet njëra pas tjetrës dhe thuret konflikti me një kumbim të fortë social. Shqetësimi rreth vetmisë, i realizuar bukur përmes detajit të bishtit të vetëm një ylli në kupën qiellore, shpreh në gjithë përmasat e tij si gjendjen e përgjithshme shoqërore të epokës, ashtu edhe rrethanat personale të heroit. Kompozicioni i subjektit dallohet për vendosje të lira të episodeve dhe për një numër të madh digresionesh lirike.

    Ligjërimi i veprës, ku sundon metafora me një frazë të zhdërvjelltë pa zbukurime barokene të saj, është në përputhje të plotë me rrjedhën e drejtë të veprimit, me situatat e papritura që krijohen aq sa vise-vise merr dhe karakter telegrafik. Në kompozicionin e veprës bashkëjetojnë lirisht dialogu i mprehtë me monologun lirik, përsiatjet e meditimet e heroit, të cilin e dallon një mënyrë e veçantë e të menduarit dhe e përjetimit të dramave shpirtërore dhe dilemave të ndryshme. Veçori e dialogut është ndërtimi i tij mbi bazën e aluzionit e të një gjuhe gati metaforike. Këto ishin disa përvijime mbi romanin e parë dhe të fundit të shkrimtarit tonë martir, për të cilin është mjaft domethënëse fjala e urtë latine: “Vita brevis ars longa” (Jetë e shkurtër, art i gjatë).

 

 

PUBLICISTIKA POLITIKE E JUSUF GËRVALLËS

 

Shkruan: Myftar Memia

__________________________________________________________________________

 

    Atdhetari i flaktë Jusuf Gërvalla u shqua si veprimtar politiko-shoqëror, si luftëtar i paepur i penës, si organizator i aksionit revolucionar dhe si publicist i talentuar në ballë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare për liri e pavarësi kombëtare, për të drejtën e vetvendosjes të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe për bashkimin e trojeve etnike me shtetin amë, Shqipërinë. Ai jetoi aktivisht me situatat kritike e të komplikuara në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën regjimin e egër nacional-shovinist të Beogradit.

    Si militant revolucionar dhe publicist, Jusufi luftoi me konsekuencë deri në pikën e fundit të gjakut për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton në trojet e veta stërgjyshore.

    Popullit shqiptar nën Jugosllavi po i kërcënoheshin rreziqe të tjera fatale, asimilimi, shkombëtarizimi, shpërngulja me forcë, gjenocidi shfarosës, kolonizimi i trojeve shqiptare nga nacional-shovinistët serbo-sllavë, të cilët po komplotonin edhe për gllabërimin e Shqipërisë. Të gjitha këto s’mund t’i shpëtonin syrit të mprehtë të publicistit largpamës. Në kushte të një ilegaliteti të thellë, i arratisur politik në Gjermaninë Federale, i ndjekur këmba-këmbës nga UDB-ja jugosllave, Jusuf Gërvalla me publicistikën e tij gjatë periudhës gusht 1980 - janar 1982, u bë një ndër flamurtarët e Lëvizjes së fuqishme Nacionalçlirimtare për kërkesën masive “Kosova Republikë”.

 

 Numri i parë i „Zërit të Kosovës” - Nëntor 1981.

 _______________________________________________________________________

 

    Publicistikën militante të Jusuf Gërvallës e përshkon dashuria e pakufishme për popullin shqiptar të robëruar, për Shqipërinë e pavarur e sovrane. Në artikujt e tij të botuar në organet ilegale “Lajmëtari i lirisë” nr. 1, 2 dhe 3 dhe në “Zëri i Kosovës” nr. 1 e 2, me një frymë të lartë atdhedashurie, me qartësi politike, me vërtetësi historike, me objektivitet shkencor, me argumente të pakundërshtueshme, Jusuf Gërvalla ngriti zërin e protestës kundër padrejtësive historike që iu bënë kombit shqiptar nga fuqitë e mëdha imperialiste dhe shtetet shoviniste fqinje. Autori nxjerr në pah se gjysma e popullit shqiptar nën Jugosllavi kishte derdhur shumë gjak për t’u çliuar nga pushtuesit nazifashistë dhe çdo zgjedhë e huaj, madje edhe për çlirimin e popujve të tjerë të Jugosllavisë.

    Popullit shqiptar gjatë luftës i qe premtuar nga PKJ-ja e drejta për vetvendosje deri në shkëputje, aspiratë të cilën e kishte konsakruar Kuvendi historik i Bujanit në dhjetor 1943 - janar 1944. Por, me tradhti pas shpine ajo e drejtë legjitime iu grabit nga regjimi gjakatar i Tito - Rankoviqit. Autori demaskon edhe qarqet shoviniste greke për pushtimin e Çamërisë dhe për gjenocidin shfarosës dhe shpërnguljen e çamëve nga trojet e veta.

    Jusuf Gërvalla demaskon gjenocidin shfarosës që ushtron ushtria jugosllave dhe OZN-a fashiste ndaj popullit shqiptar në Drenicë, Mitrovicë, Ferizaj, Tetovë, Tivar e gjetkë në dimrin e 1944-1945-ës. Ai i çjerr maskën parullës demagogjike serbo-sllave të “vëllazërim-bashkimit” e “të barazisë” midis popujve, të trumbetuar me aq bujë për të mashtruar opinionin e brendshëm e atë botëror.Demaskon aksionin gjakatar për mbledhjen e armëve gjatë vitit 1955-1956, ku me mijëra shqiptarë iu nënshtruan terrorit, torturave çnjerëzore dhe dënimeve të rënda. Jusuf Gërvalla demaskon shpërnguljen me forcë të më se 350.000 shqiptarëve në Turqi dhe kolonizimin e trojeve të tyre me ardhacakë serbë e malazezë sipas platformës së shovinistit të tërbur, serbomadhit Çubriloviq, duke u mohuar shqiptarëve autoktoninë në trojet e veta stërgjyshore, gjuhën, historinë, kulturën e lashtë, traditat kombëtare.

    Publicistikën e Jusuf Gërvallës e përshkon si një fill i kuq deviza “Kosova Republikë”, lufta për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi, ideja madhore e luftës për bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve etnike me shtetin amë, Shqipërinë. Ai nxjerr në pah se kërkesa për Republikën e Kosovës u shtrua në mënyrë masive në demonstratat e vitit 1968. Mirëpo ajo u shtyp me tanke. Me mijëra atdhetarë shqiptarë u terrorizuan dhe u kalbën nëpër burgje.

    Megjithatë shqiptarët nuk u gunjëzuan, por u ngritën në demonstratat e fuqishme në mars - prill 1981 me kërkesat “Duam bukën tonë”, “Kosova Republikë”. Në ballë ishin studentët e Universitetit të Kosovës, nxënësit e shkollave, rinia heroike.

Demonstratat nuk u mposhtën nga tanket, nga zjarri i mitralozëve apo goditjet e çetnikëve serbo-malazezë pas shpine. Në këtë betejë të pabarabartë, thekson autori, “fëmijët u burrëruan për shumë vjet”, “vajzat trimëresha me flamurin kombëtar në dorë prinin në ballë të demonstratave”.

    Demonstratat tronditën nga themelet qeverinë e Beogradit. Ndonëse u shtypën me zjarr e me hekur, ato i çorën maskën nacional-shovinizmit sllavomadh përpara botës. Opinioni përparimtar botëror dënoi ashpër terrorin shfarosës, ku me mijëra atdhetarë u flakën nëpër burgje. Vetëm kralët e rinj të Kremlinit, thekson autori, si gjatë gjithë historisë, përkrahën terrorin sllavomadh ndaj shqiptarëve. Shqipëria ngriti zërin në përkrahje të kërkesave të popullit shqiptar. Prandaj regjimi i Beogradit akuzon Shqipërinë për “ndërhyrje në punët e brendshme” të Jugosllavisë. Autori denoncon marrëveshjet e fshehta të Beogradit me Moskën dhe me shivinistët fqinjë për të gllabëruar Shqipërinë, e cila guxonte të thoshte të vërtetën. Ai bëri thirrje: “Të mbrojmë Shqipërinë nga sulmet e armiqve të egër të saj ngado që të vijnë ato”.

    Jusuf Gërvalla u çjerr maskën shpifjeve të fabrikuara në Beograd ndaj popullit shqiptar, duke e quajtur atë “kundërrevolucionar”, “terrorist” etj. Në të njëjtën kohë, ai demaskon renegatët sahanlëpirës e puthadorë të çdo kallëpi. Ata, thekson autori, “janë mashë e bizë në duart e pushtuesit”.

    Në artikullin programatik “T’i japim shtytje të re luftës” autori demaskon pikësynimet e Beogradit, falsifikatorët e historisë së kombit shqiptar. Ai nge lart qëndrimin heroik të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe bën thirrje: “Të organizojmë mirë format e luftës legale me ato ilegale; të forcojmë konspiracionin; të shpartallojmë propagandën e armikut; të jemi syqelë dhe të mos i japim kohë armikut të mendojë as të na godasë. Në rend të ditës të kemi parullën: “Ç’ke bërë sot kundër armikut?”. Klasa punëtore të organizojë greva të përgjithshme, të tërheqë me vete edhe fshatarësinë patriote, të bojkotojmë kudo diferencimin politik”.

Publicistika e Jusuf Gërvallës rezatoi fuqishëm në Kosovë, në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi, si dhe në emigracionin kosovar në Evropën Perëndimore, i cili u hodh në demonstrata të fuqishme në Zvicër, Gjermani e gjetkë.

    Pas demonstratave të ’81-shit, kur Kosovën e kishte pushtuar terrori i egër politik, psikologjik, ushtarak, ekonomik e kulturor, Jusuf Gërvalla, me optimizmin që e karakterizonte për fitoren mbi armikun, i drejtohet nënës heroike e të pamposhur kosovare:

“Por jo moj nënë mos thuaj: Mbarova!

Djemt e tu janë gjallë

Në këmbë është çue e rreptë Kosova

E bën luftën ballë për ballë!”.

    Publicistika e Jusuf Gërvallës në “Lajmëtarin e Lirisë” dhe në “Zërin e Kosovës” dhe ajo e bashkëluftëtarëve të tij në gazetat ilegale “Bashkimi” e “Liria” u bënë zëdhënëset e së vërtetës së popullit shqiptar nën Jugoslavi në luftën e tij heroike për liri e pavarësi, për bashkimin kombëtar me Shqipërinë.

    Heroi Jusuf Gërvalla u shqua edhe si themelues i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, si redaktor, si botues dhe si organizator i talentuar, çka ngriti qindra luftëtarë për Kosovën - Republikë dhe për bashkimin kombëtar. Përpara veprës së tij madhore atdhetare përkulen me respekt të thellë brezat e sotëm dhe ata pasardhës.

 

 

JUSUF GËVALLA SI ADHURUES I TINGUJVE

 

Shkruan: Pandi Bella

__________________________________________________________________________

 

    Këngët e Jusuf Gërvallës, ato melodi vërtet të trishta, i dëgjova për herë të parë në vitin 1979 dhe vetëm për pak kohë, derisa shiritat e tyre u asgjësuan nga fonoteka e Radio Prishtinës. Mirëpo për vite me radhë më shoqëroi jehona e këngës së tyre, për ç’shkak iu jam rikthyer atyre që gjenden te ne dhe kështu guxoj t’i them dy fjalë për bertësin, atë që i lindi. Nga ana tjetër “në fletë librash” siç shkruan ai, në poezinë e tij kërkova një pjesë tjetër të portretit muzikor të njeriut të cilit virtyti i pasionit i fali kulturën e pazakontë, njeriut i cili në shumëçka i ngjan ngapak ndoshta edhe F. G. Lorkës.

    Në përmasat që e shoqërojnë, në fushën e artit, posaçërisht të muzikës, Jusuf Gërvalla mund të shihet si propagandues i artit në veçanti, si kritik muzikor, si këngëtar dhe instrumentalist, si kompozitor, etj. Në jetën e tij intensive dallohet puna voluminoze si afirmues i arritjeve kulturore-artistike në Kosovë. Me pikësynimet e gërshetuara ai shkroi një numër të madh artikujsh në faqet e shtypit periodik, së pari te “Rilindja”. Të tillë janë artikujt për artet figurative, për teatrin, për të folurit artistik në television, për emisionet kulturore televizive, për veprimtaritë artistike në tërësi, për filmin etj. Nga fusha të ndryshme të artit ai trajtoi një sërë çështjesh që lidheshin me arritjet dhe pikësynimet e kulturës dhe artit në Kosovë, duke sensibilizuar dhe nxitur në mënyrë optimale një opinion të interesuar në këtë anë, të cilit ai, duket qartë, ia njihte mirë mundësitë, aftësitë dhe dobësitë. Përballë këtij opinioni edhe në gjallje të tij edhe sot ai shfaqet fitues.

 

 

    Kronikat, recensionet, intervistat, artikujt e tij problemorë për këngën popullore, për muzikën argëtuese, për ansamblin “Shota”, për orkestrën simfonike të RTP-së, për kompozitorët, për instrumentistët, për veprimtaritë e shoqërive kulturore-artistike përbëjnë një tabllo shumëngjyrëshe të jetës muzikore të Prishtinës dhe të Kosovës në vitet e 70-ta. Me një stil të shkathët e të pasur ai paraqet jo vetëm vlerat estetike muzikore, por formulon edhe prirjet në përgjithësi deri në kufijtë e çështjeve të nivelit tekniko-profesional. Po ashtu nuk është e rastit që ai kishte një afinitet të spikatur për grupet muzikore që shkonin për koncerte nga Shqipëria në Kosovë, gjë që dëshmohet me shrimet për paraqitjen e këtyre grupeve. Të gjitha këto përpjekje kanë si synim ndihmesën për zhvillim të mbarë të muzikës kombëtare. Aq më pak mund të pranonte ai dhunimin e muzikës shqiptare. Jashtë skemave që e shoqëronin shpesh kritikën muzikore, ai nuk u bë pre as i indiferencës për një art kombëtar.

    S’do mend se veprimtaria botuese e tij e krijonte një atmosferë të nevojshme dhe personalisht mendoj se në këtë rast kolegët muzikantë në Kosovë do të kishin ndier veten fatlumë, pse një angazhim si ai i Jusufit në “Rilindje”, aq më tepër në ato vite, nuk ka shumë krahasues. Madje, a nuk ishin mjaft prej kompozitorëve e dirigjentëve në Kosovë nga miqtë më të afërt të tij, për sukseset e të cilëve ai gëzohej së tepërmi?! Kjo, jo për shkakun se ai bënte punën e gazetarit në “Rilindje”, sepse në “Rilindje” si edhe në organet e tjera të shtypit vërtet punën gazetarët e bënin dhe e bëjnë. Por disponimi i tij i posaçëm lidhet me faktin se ai është adhurues i tingullit aq sa i fjalës, madje nuk mund të kuptosh dot se kë dashuronte më shumë. Sidoqoftë, në misionin e tij do të vlente në mënyrë të veçantë tingulli, sidomos kur ai patjetër do të ketë kujtuar shprehjen: “Për tingujt nuk ka pranga…”.

    Kështu, gati si pa shtegdalje, Jusufi, së paku pas mesit të viteve gjashtëdhjetë, shfaqet si këngëtar në “Akordet e Kosovës” duke interpretuar meloditë e kolegëve të vet, ndër të cilët edhe Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari etj., që mbështeteshin tek poezitë e tij. Këngët e tilla në shoqërimin e kitarës, ai i interpretoi edhe me vëllain e tij Bardhoshin. Në këto interpretime dallohet një formim i natyrshëm dhe i lakmueshëm muzikor, serioz dhe skrupuloz në atë masë saqë nuk ndodh në çdo rast te melomanët e shumtë. E kjo një profesionalisti muzikor i flet për shumëçka. Madje është e lehtë të shihet prej lojës së tij në kitarë se ai nuk ishte një meloman çfarëdo, por një artist i talentuar, i cili iu kushtua sa mundi edhe artit të tingujve. Kur është fjala për formimin e tij muzikor nuk duhet përmendur vetëm kënga dhe kitara si shoqëruese e këngës, por mendoj, edhe muzika artistike. Dhe jo më kot gjen vend në poezitë e tij Bethoveni, Shopeni, Debysyja, Rafet Rudi (miku i tij i afërt) etj.

    I talentuar, siç ishte, Jusuf Gërvalla iu kushtua edhe kompozimit. Gjykuar sipas ndonjë mendjeje të parafabrikuar, Jusufi do të kishte kompozuar marshe madje pompoze dhe as poezitë s’do të duhej të kishin atë frymë idilike impresioniste. Mirëpo, për “çudi” të mendjeve të tilla, Jusufi shprehet me një romantikë intime edhe si kompozitor. Këngët e tij ngjajnë me romanca të përmbledhura dhe përfshihen në koordinata të tilla të përafërta të kohës që ai i kompozoi. Edhe këtu dëshmohet se në bazë të frymëzimit të tij është një dhembje lirike, të cilën ai e përkëdheli butësisht dhe e poetizoi si mundi. Nga ana tjetër, në poezinë e tij vazhdimisht derdhi tinguj të kumbueshëm në mënyrë harmonioze. Në mënyrën e vet, lidhja e muzikës me poezinë në mendësinë dhe praktikën e Jusufit përcaktohen si gjëmime. Jo më kot edhe shansonat franceze ai i këndonte jo pas një përkthimi, por pas një rishikimi siç thotë ai: “Sa sipas mendimeve të mia, të mund t’i flejnë “frymës” sime, frymës sonë…”.

    Për nga shumanshmëria e veprimtarisë krijuese artistike, për nga qëllimet, përcaktimet, mënyra e shprehjes së artit të tij, Jusufi ndjek pak a shumë rrugën e moralistit, i cili kërkon të ndikojë esencialisht në mënyrë emocionale me artin e tij. Kështu, pa dyshim portreti i tij artistik ngjan me atë të një iluministi të kohëve moderne, të cilat për shqiptarët në Kosovë do të quheshin ndryshe të ashpra. Megjithatë, a s’janë shqiptarët sot ata që po përpiqen të zbusin egërsirat serbe?!…

    Në përmasa të tilla mund të shihet edhe rëndësia e krijimtarisë së Jusufit si muzikant, ndonëse për shkak të vdekjes së panatyrshme ai u privua nga mundësia për shumëfishimin e tyre. Duke luajtur vazhdimisht me kitarë prej tingujve, prej kohësh “transkriptoi”, me sa duket, një varg që shënonte një parandjenjë. Si në një rast tjetër kur kam shkruar për të, dua të përdor përsëri atë varg: “Në tinguj kitare të më kujtojnë”.

 

PASHTRIKU: DOSJA VËLLEZËRIT GËRVALLA & KADRI ZEKA

( Përgatiti Moderatori i pashtriku.org, 18. 01. 2010 )

 

powered by Beepworld