30 vjetorin e Demonstratave të pranverës 1981 në Kosovë

 

 

 

BURGOSJA                 E

RINISË SIME

 

 

Shkruan: Elife Luzha

     Edhe sot u zgjova në orën e zakontë të mëngjesit sadoqë natën e  kalova pothuaj pa vërë gjumë në sy. Në pasqyrë  vërejta fytyrën e zbehur dhe sytë të ënjtur. Kurse në kokë ende më buçisnin fjalët e zëdhënësit të shkollës: “"Elife Luzha, përjashtohet nga shkolla, dhe humb cilësinë e nxënësit”.

     Pa pyetur për hekurat e qelive dhe zinxhirët e burgut, mëngjesi qe me diell të çiltër, natyrë e bukur pranvere. Cicërimat e zogjve në kopshtin e shtëpisë nuk më bënë përshtypje si ditëve të tjera. Bota e tyre e çiltër prej zogu po më dukej si e larguar. Nëna po merrej me punët e shtëpisë. Vëllezërit kishin vajtur nëpër punët e tyre. Kurse unë po përgatitesha për në shkollë. Askujt nuk i tregova për vendimin e Pleqësisë së shkollës të publikuar dje. Unë dhe vëllai, Kadriu ishim në listën e të përjashtuarve nga shkolla, për veprimtari  armiqësore, siç thuhej në atë vendim. Vëllai ishte në përfundim të vitit të fundit të gjimnazit, kurse unë sa po përfundoja vitin e parë.

     Mbrëmë nuk kisha mundur të hapë gojën me askënd. Nuk dija si t’i tregoja nënës se jam e përjashtuar nga shkolla kur ajo po bënte gjithë ato mundime për shkollimin tonë. Si t’i them për vëllain, kur i dija ëndrrat e saj prej nëne të vuajtur Kosove për një të ardhme tonë të lumtur? Kadriu me një karakter tepër të veçantë qysh herët ishte dalluar me horizont të gjerë  dijeje prej eruditi. Ishte nxënës i shkëlqyer i gjimnazit Matematikor të Prishtinës. Por kushtet e vështira në familje nuk i mundësuan që të vazhdonte mësimet atje, andaj dhe ishte regjistruar në Komunën e Kaçanikut, për shkak të udhëtimit më të afërt nga shtëpia, dhe uljes së shpenzimeve familjare. Me sjelljen dhe zgjuarsinë e tij, krijonte nderim të veçantë kudo që shkonte.  Përshtypje të mirë kishte krijuar sidomos në mesin e profesorëve të tij. Sa here që më thoshin se si motër e Kadriut do të duhej t’i kem ngjarë atij, lumturohesha, nga ana tjetër, në mua shtresohej një detyrim se me të vërtetë duhet t’i ngjaja! Aq shumë doja t’i ngjaja sa nuk linja vend pa e  përgjuar, për të mësuar të veçantat e tij. E veçanta ishte, leximi i librave dhe loja me futboll.

 

Oborri i shkollës së mesme në Kaçanik - prej ku filloi demonstrata e 5 majit 1981.

 

     U përshëndeta me nënën dhe u nisa për te shoqja e lagjes Mërgimja, me të cilën udhëtoja për në shkollë. Ajo e dinte se isha e përjashtuar nga shkolla, por e kisha lutur të mos i tregonte askujt. Në shenjë proteste për përjashtimin e numrit të madh të nxënësve nga shkolla, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e 05. 05. '81 në Kaçanik, bashkë me disa shoqe dhe shokë organizuam bojkotimin e mësimit. Në mesin tonë ishte edhe Mërgimja, por ajo disi më dukej si shumë e luhatur dhe nuk ja kisha fort besimin. Kjo dhe u vërtetua. Posa u grumbulluam në oborrin e shkollës që të manifestojmë bojkotimin ashtu siç kishim vendosur, ajo u largua..

     Paraqitja ime në oborrin e shkollës, edhe pasi më ishte ndaluar, nuk u pa me sy të mirë nga udhëheqja e shkollës dhe disa bashkëpunëtorë të tyre. Erdhi një nga ata dhe më tha të largohesha, ose do të ftonin policinë. Unë prita derisa sa u grumbulluam të gjithë dhe pak para se të fillonte hyrja e nxënëseve brenda në klasa u larguam. Po ecnim nëpër rrugët e Kaçanikut me parullën:

 

“Ktheni shokët tanë”,

“Republikë kushtetutë ja me hatër ja me luftë”,

si dhe këngë patriotike siç ishte:

“Kaçanik o shkëmb e gurë, vritesh, pritesh për flamur...”

 

     Por tani po ndiqeshim nga policia. Filluam të shpërndahemi. Unë me një grup shokësh ikëm luadheve për t’u fshehur nëpër male. Kisha vrapuar shpesh, dhe isha pjesëmarrëse e garave atletike për komunën. Isha e bindur se nuk do më zinin policët pasi më dukej vetja si vajzë se isha bijë e erës. Vrapoja me tërë fuqinë duke e lënë pas grupin. Por e humba betejën prej rinie. Nga bari i gjatë i luadheve të pa kositura të majit, m’u pështjellën këmbët dhe u rrëzova. Një polic me zuri për krahu. Kur më panë shokët dhe shoqet u ndalën. Donin të më shpëtonin nga duart e tij, duke bërtitur - lëshojeni, si t’i bërtisnin një zagari që kish zënë një thëllëzë të re! Unë u fola shokëve të ikin që të mos vëreheshin se kush qenë. Polici shqiptar po më luste që t’i ndalja shokët vetëm sa për të biseduar dhe do na lironte! Nuk ju binda urdhrit të tij. Ai filloi të bërtiste për të më bindur, se do të më lëshonte nëse ata do të ndaleshin. Dhe ashtu u bë. Polici nuk më lëshoi nga krahu deri sa e mori fjalën nga ne se nuk do të dukeshim më në shkollë e as rrugëve të Kaçanikut. Pasi na lëshuan, vendosëm të shpërndahemi, për të vazhduar ditëve tjera më mirë të organizuar.

     E vetme, u nisa për në shtëpi. Në kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh dhe gati nuk vëreja asgjë rreth vetes. Vendosa që posa të mbërrija në shtëpi t’i tregoja nënës së dashur për përjashtimin tim nga shkolla. Pa pritur para meje u ndal një makinë policie dhe më futën fluturimthi në makinën e tyre. Po më dërgonin në stacion të policisë. Na tradhtuan - thash me vete. U tmerrova kur mendova se do të jenë kapur edhe shokët e tjerë. Tërë ditën më morën në pyetje, herë njëri e herë tjetri. Asnjërit nuk ja dija emrin. Kërkonin të tregoja emrat e atyre me të cilët isha bashkë. Nuk thash asnjë. Përgjigjesha shkurt: - Jam nga fshati. Nuk e njoh askënd. - E ndjeja veten në një kopësht zoologjik me të gjitha llojet e bishave në uniformë xhandari.

     Nuk e dija saktë nëse i kishin kapur edhe të tjerët. Ankthi më shtrëngonte në grykë. Në orët e vona të mbrëmjes më dërguan në gjykatore te bashkëfshatari im gjykatës, Muj Luzha. Pas “përshëndetjes” me fyerjet më të rënda që kisha dëgjuar ndonjëherë e sorollatjeve me kërcënime, ma shqyrtoi dënimin me 15 ditë burg. Në ora 11 të mbrëmjes me makinën e policisë më nisën për ta vuajtur dënimin në burgun e Mitrovicës. Rrugës po mendoja për nënën e dhëmshur, për pikëllimin e saj me vajzën në hekura qelie! Çfarë do t’i bënin vëllait të dashur, edhe ai i përjashtuar? Po shokët, kush nga ata do të jetë kapur, çfarë dënimi do të kenë marrë? Ishte pranverë, e rinisë së Kosovës rrezet e diellit do binin mbi zinxhirët në duar.

     Tërë ditën nuk kisha ngrënë e as nuk kisha pirë. Ndjehesha e tejlodhur gjer në kufirin e vdekjes. Por nuk kishim për të vdekur.

     Pas mesnate mbërritëm në burgun e Mitrovicës. Më vonë mësova se vetëm unë isha e burgosur atë ditë. Ishte një ndër lajmet më të mira që dëgjova pas daljes sime nga burgu. Ndjeva se shokët i paskisha dashur jo më pak se veten. Përkundër të gjitha vuajtjeve dhe torturave asnjëherë nuk më shkoi mendja t’ju besoj atyre që më quanin armike. Isha shumë e bindur se po bënim një vepër të mirë për Kosovën, e që Kosova e robëruar e priste nga ne. Isha shumë e bindur se nuk duhej ndalur e as frikësuar nga kërcënimet e askujt. Isha shumë e bindur për fitoren tonë. Kjo bindje qe mesazh i jetës që i përballonte mundimet.

 

* ) Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY  - Prishtinë, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

 

 

                                                                                                                                  © Pashtriku.org, 29. 05. 2011

 

 

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratës së 5 majit 1981 në Kaçanik

 

 

TË MOS HARROHET HISTORIA

( Me brigadat e flijimtarëve të vitit 1981 )

 

 

 

     Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin vazhdim i veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare që padrejtësisht Fuqitë e Mëdha i dhuruan Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Më 1912 Shqipëria u shpall e pavarur por 55% e tokave të saj si Kosova dhe Çamëria mbetën jashtë shtetit shqiptar. Kjo çoi, veç të tjerash, në themelimin e ‘Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ më 1 maj 1918 me qëllimin e mbrojtjes së tokave tona të shenjta. Shqiptarët nuk mund të pranonin robërinë me poshtërimin më të rëndë që u bëhej atyre. Me instiktin gjenetik të lirisë dhe krenarisë ata u detyruan të organizojnë forma të ndryshme qëndrese kombëtare e njerëzore, së pari për mbijetesë.

     Veprimtaria e vazhdueshme kundër dhunës, ilegale dhe legale sipas rrethanave, kulmoi sidomos në vitin 1945 me legjendarin Shaban Polluzha me shokë; pastaj në vazhdimësi me pishtarin Adem Demaçi. Viti 1945 shënon ripushtimin e tretë të Kosovës nga Jugosllavia kur dhe u instalua pushteti ushtarak sllavo-komunist (më 8 shkurt 1945 - Sh.B). Për 6 muaj kulmoi tragjedia shekspiriane, nën petkun e fitimtarëve vranë 48.000 shqiptarë, zhdukën  10.000 të tjerë dhe dëbuan për në Turqi 350 mijë shqiptarë etnikë (në kohën e Rankoviçit u dëbuan edhe 250 mijë). Kombi shqiptar në vatrën ilire të tij përjetonte Natën mesjetare të Shën Bartolomeut. Gjithëçka ishte e lejuar kundër tyre e në sy të Evropës, ata vriteshin, plaçkiteshin, dëboheshin e zhdukeshin brenda natës. Por masakra gjenocidiale serbosllave nuk i trembi dot atdhetarët e Lëvizjes Kombëtare. Terrori vetëm sa u shtonte trimërinë e qëndresën. Bashkë me lirinë synohej dhe bashkimin me Shqipërinë amë, lumenjë gjaku rodhën për të dy qëllimet.

Legjendari Shaban Polluzha

 

     Në Kosovë sapo ishte lejuar shqipja, pasi serbosllavët edhe zyrtarisht e kishin ndaluar. ‘Rilindja’ si gazetë e parë shqipe në Kosovë doli më 12 shkurt 1945 (më 1957 njihet si organ i LSPPK’s), por bazuar në censurën që ushtrohej mbi çdo gjë që flitej dhe shkruhej shqip, shtypi i asaj kohe ende ishte larg të përfaqësuarit të mendimit shqiptar. Megjithatë pena e atdhetarëve, e mendjeve më të ndritura dhe më me ndikim të kohës, nëpërmjet shtypit ilegal publikoi artikuj me përmbajtje kombëtare duke edukuar, bashkuar dhe ngritur vetëdijen politike e kombëtare për liri dhe bashkim. Për këtë ata, ndiqeshin e burgoseshin si Adem Demaçi që ridënohej në burgun e dytë ende pa u liruar nga i pari. Por as proceset e montuara politike, as terrori rankoviçian nuk mundën ta ndalin shpërthimin e demonstratave studentore për liri dhe barazi të njohura si demonstratat e ‘68’ës. Ato koinçiduan me demostratat në Evropë dhe botë, por që dallonin për nga motivet e thella të krimeve sllave dhe karakteri çlirimtar i tyre. ‘Të ndalet diskriminimi i shqiptarëve’, ‘Vetëvendosje’ dhe ‘Kosova Republikë’, ishin  kërkesat  më të zëshme në demonstratat e shqiptarëve të vitit 1968.

     Që në ditën e parë të tyre më 27 Nëntor u vra me armë zjarri nxënësi Murat Mehmeti. Shumë demonstrues u burgosën bashkë me prijësit e tyre si Osman Dumoshi, Kadri Halimi, Halil Alidemi, e shumë të tjerë. Ishin vite tepër të rënda për Kosovën e tradhtuar, dhunuar e terrorizuar, kurse paria e vendit, siç thoshte Jusuf Gërvalla, nuk bëzante e tulatur nga pagat e majme dhe kolltukët e butë ku me kohë i kish ledhatuar Serbia. Ata me duart e tyre ua dorëzuan xhelatëve serb bijtë më të mirë të popullit, bile duke proklamuar me gojën e propagandës shovene, se shqiptarët i paskan të gjitha të drejtat, dhe se Kosova ‘vetëm emrin nuk ka Republikë’!

     Do të kalojnë tetë vite derisa në Brion të Kroacisë të miratohen ndryshimet e pritura të kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Por statusi i Republikës së Kosovës u hesht. Paria e vendit dështoi t’i dilte zot popullit dhe vendit të vet. Kosova prapë mbeti nën dhunë e poshtërim, duke u përforcuar edhe më, si autonomi konstituive e federatës. Vetëm pas dy vitesh intelektualët serb bënë të njohur daljen e librit të kaltër. Me një fjalë Serbia nën rrogoz po përgatiste procese të mbrapështa frenuese jo vetëm kundër shqiptarëve por dhe popujve të tjerë të ish’Jugosllavisë, për t’ua hequr edhe ato pak të drejta të garantuara me kushtetutë për të cilat bijtë e Kosovës ende dergjeshin burgjeve. Megjithatë ‘aspirata e popullit shqiptar në vitet e ’70 vetëm sa rritej’, kujton Mehmet Hajrizi, prijës i ilegales në vitet e ’80. Lëvizja Kombëtare e zgjeroi edhe më aktivitetin e saj kombëtar tani më në ilegalitet të thellë. Kurse organizatat dhe shtypi ilegal shqiptar vetëm sa u shtuan, në veçanti pas formimit të Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK) më 1973. Udhëheqësi i grupit Kadri Osmani thoshte: ‘Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të na zhdukin, ne do të luftojmë të ringjallur për lirinë e Kosovës’. GRK’ja, nga 1975 u quajt ‘Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës’ OMLK, dhe nga viti 1974 deri më 1982 (kur pushoi së vepruari), është udhëhequr nga Mehmet Hajrizi. Të kujtosh veprimtarinë atdhetare të OMLK’së, që ështe organizatore e demonstratave 1981 do të thotë të kujtosh  atdhetarizmin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, trimërinë, besën, guximin, solidaritetin e sakrificën deri në vetëmohim, vlera këto të trashëguara brez pas brezi ndër shqiptarët.

     Si kriter për t’u anëtarësuar në këtë organizatë vlerësohej atdhedashuria, guximi, zgjuarsia dhe në veçanti aftësia e ruajtjes së konspiracionit. Përparësi u jepej punëtorëve  dhe fshatarëve pasi ‘ata ishin të vetëdijshëm se ky grupim është pjesa më e shtypur dhe më e pa kënaqur me robërinë’, gjykon Sabile Basha. Ky fakt na kujton gjykimin e anëtarëve të kësaj organizate të arrestuar nga sigurimi serb më 1982, (‘për t’ia këputur kokën e thyer kurrizin’ çirrej vasali S. Hasani) në mesin e tyre edhe nxënësin e shquar të gjimnazit matematikor, Kadri Luzhën. Edhe pse në moshën 19 vjeçare, gjatë hetimeve ai përballoi torturuat më mesjetare satanike. Në qelinë e tij nga dritarja me grila si në pamje legjende edhe në kohë dimri hynte borë e lagështi në shtratin prej dërrase akull. Përkundër të gjitha torturave para trupit gjykues kur po dënohej bashkë edhe me tetëmbëdhjetë shokë të tij më 10 korrik 1982, Kadri Luzha me guxim Prometeu deklaron: ‘Jam më i riu dhe pa përvojë, por  juve dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën’ (kështu kujton udhëheqësi i grupit, dhe bashkëdënuesi me Kadriun, Mehmet Hajrizi). /Lexoni në fund-shtojcën e pashtrikut - Sh.B/

 

 

  Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, Korrik 1982: Nga e djathta në të majtë - Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Basri Musmurati, Naim Salihu dhe Shemsi Hoxha. Në këtë grup janë dënuar 16 pjestarë të OMLK’së.

 

     Ky frymëzim atdhetar që prushonte në zemrat e rinisë së Kosovës, pushtuar nga ndjenjë e dashurisë për liri dhe demokraci, demonstrata e Pranverës së Madhe të vitit 1981, i shndërroi në kryengritje popullore duke tundur për vdekje themelet e federatës jugosllave. Filluan me 11 mars për të mos përfunduar deri në vitet e ’90, kur përgjegjësinë për t’i dal zot Kosovës e mori UÇK’ja. Demonstratat e 26 marsit ishin uverturë e atyre të 1, 2 dhe 3 prillit, kur të bashkuar nxënës, student, mësues, punëtor e fshatar, pushtuan rrugët e mbarë qyteteve të Kosovës me kërkesën ‘Kosova Republikë’.

     ‘Në Ballkan e Evropë Lindore, nuk ishin parë demonstrata aq masive që nga pas LDB’ - gjykon Sabile Basha. Ata të gjithë i ngjasonin njëri tjetrit, me vrullin, solidaritetin, vendosmërinë dhe qëllimin e tyre. Mbi ta u gjuajt me armë zjarri nga policët, tanket, aeroplanët. Ra edhe dëshmori i parë i Pranverës së Madhe, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. U plagosën mbi qindra demonstrues ndërsa u vranë me dhjetra të tjerë. Populli mbante dyert e hapura me adhurim për bijtë e tij më të mirë. Nënat, motrat e nuset u kujdesën për plagët e krushqve të lirisë. Liria e Kosovës qe kryefjala dhe kallzuesi i të gjithëve. Me trupat e tyre ngrinin barrikada para kordonëve policore për ta penguar marshin e tyre gjakësor. Vashat si luanesha hidheshin mbi tanket serbe dhe në tytat e tyre vendosnin flamurin kombëtar. Të bashkuar nxënës e studentë çarmatosnin policët që gjuanin me plumba mbi ta.

     Policia kriminale e pushtuesit u gjet e papërgatitur para ortekut demonstrues. Në ndihmë u erdhën ushtria me njësitë speciale nga Beogradi, dhe shpallën gjendje lufte. I mbyllën shkollat, fakultetet e ndërmarrjet, kurse ndër medie i kurdisën altoparlantët e shantazheve dhe propagandës antishqiptare. Edhe kësaj here paria e vendit u pozicionua me turpin. Përkrah armikut demonstruesit i quajtën: ‘armiq’, ‘reaksionar të egër’, ‘nacionalist të ashpër’, ‘do t’i fusim në vrimat e minjëve’ e çfarë jo tjetër. E tërë Kosova ziente nga bastisjet dhe shfryrjet sadiste të ardhacakëve serbë  mbi shqiptarët etnikë. U publikuan për herë të parë të dhënat ku tregohej se nga 1979 deri më 1980 ishin zbuluar dhe dënuar 8 grupe nacionaliste me 680 anëtarët e tyre; 4 vite pas demonstratave të vitit ’81 u dënuan  4.000 veta, dhe u shqiptuan 5 shekuj burg. Nga viti 1981-1990 u dënuan edhe 1346 ushtarë shqiptar që shërbenin në ushtrinë jugosllave, ndërsa në mënyra të ndryshme u vranë edhe 63 të tjerë. Me një fjalë në Kosovë që nga viti 1945 e deri më 1999, për veprimtari politike janë shqiptuar 666 shekuj burg për shqiptarët etnik.

     Gjithsesi kryengritja e Pranverës së Madhe më 1981 shënoi kthesë të madhe në historinë më të re shqiptare dhe fillimin e fundit të robërisë në Kosovë. ‘Brezi i artë’, apo ‘brigadat e flijimtarëve’ të vitit ’81, ishin pishtarët e parë të lirisë dhe demokracisë. ‘Të gjitha vitet e ndihmuan historinë, por viti’81 e ndryshoi atë’ gjykonte i paharruari Mr. Ukshin Hoti. Përderisa Sekretarja e shtetit amerikan Hillari Klinton për këto ngjarje në ditarin e saj kujton: ‘Dardanët kosovarë që janë vetëm shqiptarë, në vitet e ’80 me protestat dhe gjakun e tyre i bënë të njohur edhe shqiptarët e Shqipërisë’. Bota e qytetëruar demokratike  fuqishëm i përkrahu demonstratat në Kosovën e vitit 1981 e për këtë më mirë flasin dhjetëra artikuj të botuar nëpër mediet më të fuqishme botërore. Edhe shumë atdhetarë në shtetin amë, duke i përkrahur demonstratat e vëllezërve kosovar, u thoshin popujve në ish’jugosllavi dhe më gjerë që të solidarizohen me shqiptarët dhe kërkesat e tyre legjitime ngase ‘Dora e fortë serbe që po godet Kosovën, shpejt do të ngjitet edhe në Bosnje, Kroaci e Slloveni’. Atdhetarizmi shqiptar është një vij e ndritshme që eci nëpër histori me guximin e bijve më të përkushtuar. Kulmi qe legjenda e përjetëshme e Adem Jasharit që u flet të gjitha brezave me zërin e lirisë e të flijimit për shqiptarinë. Shqiptarët e Kosovës me luftën heroike të UÇK’së më 1999, e realizuan ëndërrën njëqindvjeçare për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Sot Republika Kosovës, ngadalë por e sigurt po ecën drejt finalizimit të kauzës kombëtare duke e çuar në vend kështu amanetin e mija shqiptarëve të rënë, për liri dhe bashkim kombëtar. Ashtu çoftë!

 

* ) Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY  - Prishtinë, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

( Kjo Kumtesë u lexua në Akademinë - kushtuar 30 vjetorit të demonstratës së 5 majit 1981 në Kaçanik )

 

 

 

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

 

     Kadri Luzha, u arrestua nga UDB’a famëkqe më 10 shkurt 1982 (me ndihmën e spiunëve të saj) dhe sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori NJAZI BURGIDEVA, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me Trupin Gjykues i kryesuar nga gjykatësi ISAK NISHEVCI…, në bazë të aktgjykimit: P.nr. 69/82 datë 10 korrik 1982, dhe “në emër të popullit” u dënua me pesë (5) vjet burg.

 

 

 

      Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë - Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse ëshët dyshuar se Hydajeti është vrarë...

 

Në këtë proces gjyqësor u dënuan këta veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare:

 

1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burg,
2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burg;
3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burg;
4. GANI SYLA, me 15 vjet burg;
5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burg;
6. BERTA LUZHA, me 12 vjet burg;
7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burg;
8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burg;
9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burg;
10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burg;
11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burg;
12. AZEM SYLA, me 5 vjet burg;
13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burg;
14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burg;
15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burg;
16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burg;
17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burg;
18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burg;
19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burg;

( ... )

     Këtë dënim Kadri Luzhës ia plotëfuqizon Gjykata Supreme e Kosovës - më 25 nëntor 1983, me aktgjykimin A.p - nr. 135/83.1., të shpallur nga Trupi gjykues:  1. AQIF TUHINA - kryetar i trupit gjykues, 2. TADEJ RODIQI - anëtër i trupit gjykues, 3. SHEFQET BYTYQI - anëtar i trupit gjykues, 4. MIODRAG BËRKLAQ - anëtar i trupit gjykues,  5. HALIL HALILAJ - anëtarë i trupit gjykues.

 

Lexoni faqen e parë të Aktgjykimit A.p - nr. 135/83 të shpallur nga Gjykata Supreme e Kosovës.

 

___________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

 

NË EMËR TË POPULLIT

A.p - nr. 135/83

 

     Gjykata Supreme e Kosovës - kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Aqif Tuhina, kryetar, Tadej Rodiqi, Shefqet Qytyqi, Miodrag Bërklaq dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtorin profesional Qerim Metaj, procesmbajtës, në lëndën penale të të akuzuarve: Jakup Krasniqi nga Negrovci, Mehmet Hajrizi nga Prishtina, Gani Syla nga Kishnareka, Nebih Murtaj nga Prishtina, Berat Luzha nga Begraca, Sherafedin Berisha nga Prishtina, Ismail Syla nga Kishnareka dhe Jahir Hajrizi nga Prishtina, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore të parashikuar nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ dhe të akuzuarve: Sheqir Zeneli nga Prapashtica, Fehmi Plakiçi nga Nekovci, Azem Syla nga Kishnareka, Xhevdet Syla nga Prishtina, Fatmir Krasniqi nga Tërpezi, Ferit Qollaku nga Gajra, Hysni Hoti nga Caralluka, Kadri Luzha nga Begraca, Mustafa Ademi nga Prishtina dhe Jashar Alijaj nga Kovraga, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 136 par. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ.

 

( ... )

Lexoni faksimilet e faqes së 1, 3, 4 dhe 24 të këtij Aktgjykimi:

     Ky trup gjykues dhe shumë prokurorë e gjyqtarë tjerë të këtij soji, që kanë punuar në gjykatën supreme të Kosovës, por edhe në gjykatat e qarkut nëpër komuna të Kosovës, gjatë viteve të 70-80’ta kanë denuar mijëra intelektualë shqiptarë, vetëm pse janë angazhuar për realizimin e kërkesës “KOSOVA REPUBLIKË!”, dhe për çudi këto relikte të së kaluarës edhe sot punojnë në të gjitha nivelet e gjykatave të Republikës së Kosovës !!!

( Përgatiti: Moderatori i pashtriku.org, Sheradin Berisha )

________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

 

ELIFE LUZHA:

BURGOSJA E RINISË SIME...

________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

 

                                                                                                                          © Pashtriku.org, 27. 05. 2011

 

 

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të 5 majit 1981 në Kaçanik

 

 

DEMONSTRATA E 5 MAJIT 1981 - NISI ME:

„HEJ KAÇANIK O SHKËMB E GUR“…

 

Shkruan: Naser Kuka

 

 

     Bashkëqytetarë të nderuar,

     Është një nder i veçantë që sot, në përvjetorin e 30 të pranverës së madhe të vitit 1981, në emër të Këshillit Organizativ, të flas për demonstratën e 5 Majit në Kaçanik, demonstratë kjo që shprehte, si gjithkund tjetër në Kosovë, aspiratën shekullore të popullit tonë për liri. Paraprakishtë më lejoni që t’ju përshëndes të gjithë juve, që ishit dhe mbetët mbështetja më e fuqishme dhe më besnike e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, bashkëveprimtarët shumëvjeçarë, bashkëdemonstrantët e atyre viteve, veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe krejtë të tjerëve, që nëpër kohë, zhvillime e ngjarje dhanë dhe bënë shumë për kauzën e madhe të lirisë. Një përshëndetje dhe falënderim të veçantë, në emrin tim dhe tuajin, kam për kryetarin e komunës, z.Xhabir Zharku, si dhe për Bordin e Drejtorëve te të cilët kisha një mbështetje dhe përkrahje të fuqishme për tërë organizimin e sotëm.

     Vëllezër dhe motra,

     Kriza që në vitet e 80’ta kishte përfshirë Jugosllavinë titiste, natyrshëm do të manifestohej gjithanshmërishtë, me tërë peshën dhe ashpërsinë që kishte edhe në Kosovë, bile këtu, më shumë se kudo tjetër. Në ato vite këtu, në Kaçanik, shumë punë të ilegales, veçmas literatura e ndaluar, e ardhur kryesisht nga Shqipëria dhe mërgata jonë, çarkullonte dhe shpërndahej pothuajse në mënyrë krejtë të zakonshme. Fryma politike, e krijuar në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, aksionet ilegale të shpërndarjes së trakteve dhe shkruarja e  parollave, anenkënd Kosovës, kishin bërë që Lëvizja për Çlirimin e Kosovës të rritej e forcohej, por edhe të dominonte hapësirën e lëvizjes së rezistencës sonë kombëtare.

     Kjo frymë politike e atdhetare Kaçanikun e gjeti edhe më 11 Mars ’81, djemtë dhe vashat e të cilit u bënë pjesë dhe mishërim i përplasjes dhe protestës së madhe studentore në mensën e studentëve në Prishtinë. Lajmi për përplasjen e pjatave në mensën e studentëve në Prishtinë u përhapë shpejtë edhe në Kaçanik dhe ky ishte lajmi më i shumëpritur dhe më i gëzueshëm për të gjithë neve që edhe e prisnim shpërthimin e durimit dhe të pritjes, thyrjen e heshtjes dhe hapjen e një procesi, kaptine të re, që s’do të ndalej më, asnjëherë, deri në luftën e armatosur dhe çlirimin e vendit.

Kukës, 12 Shkurt 1981:

Naser Kuka, së bashku me shokët dhe shoqet e tij te varri i Hasan Prishtinës.

 

     Në ditët në vijim, edhe në Kaçanik, filluan zëra dhe nisma që për qëllim kishin solidarizimin me protestën studentore të 11 marsit. Megjithate, fillimishtë ka dominuar mendimi se duhej forcuar frontin e hapur në Prishtinë, se atje jemi më të dobishëm, se 11 marsi duhet të pasohet me organizime të tjera masive. Meqë 26 marsi ndodhi, ndodhi me krejtë madhështinë që kishte dhe „Republikë - Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë“, ishte përmbyllja e vendosshmërisë për ta çuar deri në fund procesin çlirimtar, mjegullat ishin hequr dhe uniteti popullor po krijohej në arenën e përballjes me Jugosllavinë titiste. Më nuk kishte dilema, të dilet në demonstrata apo jo, ndërsa procesi kishte hyrë në rrugën e duhur dhe ngjeshja e radhëve, zgjimi dhe mobilizimi i masave ishte detyrë parësore, siç ishte detyrë edhe shtrirja e kryengritjes në tërë Kosovën.

     Gjatë kësaj kohe Kaçaniku, i ngritur në këmbë, priste sinjalin për tu bërë mishërim i kryengritjes. Dhuna dhe terrori i vazhdueshëm që ushtrohej ndaj popullit tonë: arrestimet dhe burgosjet, reprezaljet dhe vrasjet e kryengritësve duarthatë, plagosja e një kaçanikasi në demonstratën e 2 prillit në Prishtinë (Kemajl Lika), kishin bërë që masa, edhe ashtu e elektrizuar, të shtonte kërkesën për demonstratë edhe në Kaçanik. Megjithate, situata tërësishtë mbahej nën kontrollë dhe asgjë nuk i lihej stihisë.

     Ky vend edhe ashtu kishte traditën e vetë të ndritshme, patriotike dhe revolucionare, kishte brumin frymëzues atdhetarë, kishte bijtë e bijat që me kohë ishin rreshtuar në ilegalen çlirimtare dhe ishin kalitur nëpër beteja. Fryma Çlirimtare e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, e bartur gjeneratë pas gjenerate, në sakrificën e burrave të këtij vendi, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore, më 1946, ishin denuar me shumë vite burg, deri edhe me vdekje. Pastaj kishte legjendën e gjallë, me të cilin bashkëjetoi, Sali Bajrën e madh, që për të gjallë të tij ishte bërë shkollë dhe univerzitet krenarie e qëndrese, mësues dhe edukuator i vërtetë në shkollën e madhe të Lirisë. Kishte grupet ilegale, shtrirjen e GMLK’OMLK’së, frymëzuesen, organizatoren dhe arkitekten e organizimeve çlirimtare. Njerëzit e këti vendi bashkëjetonin edhe me frymën e simbolit të rezistencës kombëtare, patriotin dhe atdhetarin e të gjitha kohërave, Adem Demaçin, i cili në ato vite edhe në çelitë e burgjeve, i bënte rezistencë Jugosllavisë kolonialiste.

     Prandaj, konsideroj unë, jo rastësishtë, „Ushton Gryka e Kaçanikut“, ishte bërë kushtrim, hymn i vërtetë, kudo në sheshin e demonstratave, në pjesën dërmuese të të cilave ishin edhe djemtë dhe vajzat e Kaçanikut, veçmas në Prishtinë (fillim e fund), në Ferizaj dhe Viti. Dhe kështu, zhvillim pas zhvillimi e ngjarje pas ngjarjesh, në masa, krijohet klima e mllefit, e mosdurimit dhe e presioneve, nga brenda dhe jashtë. S’kishte ditë e të mos dëgjohej: „hajdeni më“, „kur po ia nisim“, çka po presim“, e të ngjashme.

     Ish Qendra e Arsimit të Mesëm, tani Gjimnazi „Skënderbeu“, vlonte nga organizimet e mosdëgjueshmërisë qytetare dhe këngët që për kohën ishin bërë kushtrim lirie. Maji erdhi me bukurinë e vetë dhe njerëzit më nuk pyesnin se çfarë po presim, por si do do të na del demonstrata... Në këtë klimë, gjithsesi revolucionare, ishin bërë bashkë, ishin bërë një, ilegalët e kohës dhe grupet qytetare, rinia studentore, nxënësit dhe nxënëset e shkollës së mesme, që ishin brumi i pothuajse të gjitha organizimeve në këtë trevë, si dhe ato pak professorë që me kohë ishin rreshtuar në anën e popullit. Me një kontratë të tillë të bashkimit: ilegal, qytetarë, studentë, nxënës, punëtorë dhe profesorë, në pasditën e 5 Majit ’81, në kohën kur bëhej ndërrimi i turneve të nxënësve, të para ditës dhe pas ditës, pikërishtë në ora 13.45, me „Hej Kaçanik o Shkëmb e Gur“, në oborrin e shkollës së mesme, filloi demonstrata e parë, gjithëpërfshirëse, tamam popullore, edhe në Kaçanik. Ky fillim kishte skenarin e vetë të defilimit nëpër qendër të qytetit, por edhe të vigjilencës, të kujdesit dhe diciplinës organizative.

     Vlenë të theksohet se kjo demonstratë i kishte akterët e vetë, i kishte studentët, punëtorët, fshatarësinë, grupet qytetare, i kishte edhe ata professorë që atë ditë ishin bërë një me te, por pararojë e saj ishte bërë grupi i madh i vajzave të këti vendi, të cilat edhe kishin dalë në ballë të tyre. Edhe këtu, si kudo tjetër nëpër Kosovë, në këtë ditë gjithsesi historike, Kaçaniku, rreth e për qarkë qendrës, oshëtiu me: „Kosova Republikë“, Kushtetutë - Republikë, ja me hatër ja me luftë“, Kush s’bashkohet është tradhtarë“, etj.

     Ndërhyrja e milicisë në rrugën „Emin Duraku“, afër vendit ku edhe pritej ardhja e nxënësve të vitit të parë të shkollës së mesme, të cilët atë botë mësimet i zhvillonin në objektin e shkollës fillore „Emin Duraku“, shënoi përmbylljen e dhunshme të demonstratës.

     Më lejoni t’ju rikujtoj se për pjesmarrje në demonstratën e 5 majit 1981, pushteti i atëhershëm i dënoi me burg 24 pjesmarrës, përjashtoi nga shkolla e mesme 24 pjesmarrës, nga puna përjashtoi 12 punëtorë, 10 studentë i përjashtoi nga fakulteti, ndërsa dhjetëra të tjerë iu nënshtruan të ashtuquajturit diferencim ideopolitik dhe masave të tjera ndëshkimore.

     Demonstruesit e vitit 1981 e bënë të qartë se rinia dhe inteligjenca e krijuar ishte ajo që e gëzonte legjitimitetin e popullit të vet, sepse pikërisht ajo ia njihte popullit të vet të drejtën për të vendosur, prandaj ajo inteligjencë në krijim me vetëdije e mori mbi vete barrën për t’i prirë popullit në rrugën e pashmangshme të fitimit të lirisë. Dhe populli e vulosi lirinë dhe pavarësinë, në luftën e fundit çlirimtare, në Kosovë, të prirë nga UÇK’ja.

 

Le të jetë i përhershëm kujtimi për brezin e vitit 1981!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë!

________________________________________________________________________________________________________

( Kjo Kumtesë u lexua në Akademinë - kushtuar 30 vjetorit të demonstratës së 5 majit 1981 në Kaçanik )

 

 

                                                                                               © Pashtriku.org, 25. 05. 2011

 

 

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të 5 majit 1981 në Kaçanik

 

 

MË 5 MAJ 1981 - DJEMTË DHE VAJZAT E KAÇANIKUT DEMONSTRUAN KUNDËR REGJIMIT PUSHTUES

 

     Më 5 maj 2011 në Kaçanik, në përkujdesjen e kryetarit të komunës, Xhabir Zharku dhe në bashkëpunim me Shoqatën e të burgosurve politik, u mbajtën një sërë aktivitetesh kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981. Me Intonimin e himnit kombëtar dhe këngës „Ushton Gryka e Kaçanikut,…“ të kënduar nga kori i nxënësve të Gjimnazit “Skënderbeu”, në ambientet e pallatit të kulturës „Xheladin Kurtaj” në Kaçanik është hapur Akademia kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të 5 majit 1981. Në fjalën përshëndetëse kryetari i komunës, Xhabir Zharku, tha se „në ditën kur Komiteti Qendror i LKJ’së në mbledhjen e vet në Beograd thoshte se janë shuar grupet irredentiste të shqiptarëve, po atë ditë, më 5 Maj, këtu në Kaçanik, djemtë dhe vashat e Kaçanikut po demonstronin kundër atij regjimi pushtues, për të iu treguar atyre se ne jemi këtu“. “Kaçaniku - ka thënë Zharku në vijim, „gjithnjë nëpër periudha kohore pati burra, trima e atdhetar që i dolën zot këtij vendi, që nga Idriz Seferi, Avdyl Dura, Din Hoxha, Sali Bajra e shumë të tjerë. Edhe atëherë kur ra komandanti legjendar Adem Jashari, doli heroi Agim Bajrami dhe u tha pushtuesve se ne jemi këtu. Dhe, ne si gjeneratë gjithnjë u frymëzuam nga veprat dhe heroizmi i këtyre trimave. Nga frymëzimi i tyre edhe lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që me luftën e saj heroike e bëri realitet Republikën e Kosovës. UÇK’ja me luftën e saj i bindi edhe ata që para 30 viteve thoshin se Republika e Kosovës është vetëm një ëndërr.“ Kryetari i Kaçanikut në fund ka theksuar se merita u takon gjithë brezave nëpër kohë, ndërsa lavdia u takon dëshmorëve të kombit. Në emër të Këshillit Organizues për kremtimin e 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 ka folur Naser Kuka, ndërsa në emër të Shoqatës së të burgosurve politik me seli në Prishtinë me një fjalë rasti është prezantuar Berat Luzha, ndërkaq në emër të Degës së të burgosurve politik të Kaçanikut, foli Ramiz Shehu. Në këtë akademi foli edhe Elife Luzha. Znj.Luzha, me temën „Të mos harrohet historia (me brigadat e flijimtarëve të vitit 1981)“ prezantoi një kronologji të ngjarjeve historike nga periudha e luftës së dytë botërore gjer te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj ka folur Hysen Shurdhani, njëri nga të denuarit  për demonstratat e 5 Majit 1981, ndërsa Mihane Hasani njëra nga vajzat që iu priu demonstratave të 5 Majit, solli kujtime interesante nga kjo ngjarje historike. Me këtë rast, kryetari i komunës, Xhabir Zharku me mirënjohje ka nderuar të gjithë pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981, të cilët ishin objekt "trajtimi" nga pushteti serbo'jugosllav (ata që u dënuan, ata që u larguan nga shkolla, nga puna, atyre që iu kufizua e drejta për shkollim apo marrja e të drejtës për vazhdimin e fakultetit,…dhe për pjesëmarrësit e demonstratës, të cilët gjatë luftës së UÇK’së u vranë, qoftë si civil apo si ushtarë të UÇK’së.

 

Defilimi në përkujtim të demonstratave të 5 Majit 1981

 

     Më 5 maj 2011, simbolikisht u përkujtuan edhe demonstratat e 5 majit 1981 duke defiluar nëpër qyetetin historik të Kaçanikut. Me ovacionet “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” dhe këngën “Ushton Gryka e Kaçanikut,…” ka filluar defilimi i marshuesve në krye me kryetarin e komunës, z.Xhabir Zharku dhe veprimtarëve Hysen Shurdhani, Mihane Hasani, Naser Kuka e shumë të tjerë. Nisja është bërë nga oborri i Gjimnazit ”Skënderbeu” pikërisht në kohën kur ka filluar demonstrate e 5 majit 1981, duke mbajtur në duar mbishkrimet: “Kujtojmë demonstratat popullore”, “30 Vjet” dhe “Kosova Republikë”. Marshimi ka vazhduar rrugëve të qytetit, ashtu sikurse para 30 viteve, ndërsa para bustit të dëshmorit Ismail Raka, populli është ndalur për t’i bërë nderim. Në shenjë përkujtimi për këtë ngjarje të rëndësishme historike, kryetari i komunës, Xhabir Zharku, Hysen Shurdhani dhe Mihane Hasani, (në emër të pjesëmarrësve të demonstratës së vitit ’81), në hyrje të Shkollës - Gjimnazit “Skënderbeu” shpalosën pllakën përkujtimore me mbishkrimin: ”Nga kjo shkollë u nis demonstrata e 5 Majit 1981”. Me këtë rast Xh.Zharku, tha se “kërkesa për Kosovën Republikë ishte shumë e drejt, dhe se brezi që luftoi për Kosovën Republikë nuk u ndal por me pushkë në dorë realizoi atë kërkesë të kohës dhe solli lirinë. Gjenerata e vitit 1981 u bë burim frymëzimi dhe shembull i sakrificës ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kurorëzoi ëndrrën e kahmotshme të popullit tonë për liri e pavarësi...” “Dhashtë zoti që ta gëzojmë Shqipërinë e bashkuar.” - tha në fund kryetari Zharku. Në emër të pjesëmarrësve të demonstratave të 5 Majit kanë folur z. Hysen Shurdhani dhe znj.Mihane Hasani. Më pas masa, në shenjë nderimi ka defiluar përpara monumentit të dëshmorëve, duke vendosur lule të freskëta.

( Pashtriku.org, 25. 05. 2011 )

 

Kalaja iliro - dardane në Kaçanik

( http://www.youtube.com/watch?v=UqOQCS7Ym2E )

 

 

F O T O A L B U M I

NGA AKTIVITETET ME 5 MAJ 2011 NË KAÇANIK

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

( Përgatiti moderatori i www.pashtriku.org - 25. 05. 2011 )

 

 

Në 30 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

BETEJA POLITIKE PËR KOSOVËN REPUBLIKË

( Shkruan: Ragip Shala )

 

 

::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

 

Në kujtim të ngjarjeve të vitit 1981 në Gjakovë

KRIMET NUK VJETROHEN

( Shkruan: Mexhid Yvejsi )

 

 

 

 

 

powered by Beepworld