HAMIT KOKALARI
 
KOSOVA DJEPI I SHQIPTARIZMIT
 
 
Aty nga fillimi i vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike, dhe i kishte rikthyer asaj pothuaj të gjitha viset shqiptare, që Kongresi i Berlinit në vitin 1878, si dhe Konferenca e Londrës në 1913-in, i kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: "Kosova, djepi i shqiptarizmit". Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari. Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe nacionaliste të qytetit të Gjirokastrës, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës. Libri ka 125 faqe dhe përbëhet nga rreth 27 kapituj. Në të autori ka përdorur qindra referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu, etj., po ashtu edhe të huaj si: Antonio Baldaçi, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman, etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta, ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga Ahamdemi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave
dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë, Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd. Nga libri i Kokalarit, "Kosova, djepi i shqiptarizmit", ne kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal dhe pa asnjë ndryshim vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.
 
EDHE DOKUMENTET SERBE FLASIN NË FAVOR TË KOSOVËS
 
Në faqet e para të librit "Kosova, djepi i shqiptarizmit", autori i tij, Hamit Kokalari ka bërë një parathënie të shkurtër, ku ka sqaruar me pak fjalë se pse i hyri
atij studimi, dhe në fund të saj ai i ka drejtuar një falënderim të veçantë, zotit Reuf Fico, (ish-diplomatit dhe politikanit të njohur, që në fundin e karrierës së tij shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut në Beograd), për ndihmën e dhënë dhe për dokumentet që ai pati mirësinë t‘i dorzonte. Në atë parathënine, shkruhet: "Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në .formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve.Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë".
 
STUDIMI I HAMIT KOKALARIT: KONSIDERATA HISTORIKE
 
Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithëshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso -Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagan -distëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumenta më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklora. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftrat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftrat që kanë bërë kundra Turqëvet dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën "Prilozi Proncevanje norodne poezie".
 
E VËRTETA E BETEJËS SË FUSHË - KOSOVËS NË VITIN 1389
 
Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë permëndur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqëvet dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit sërb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithëshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtrija serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar.
Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: "Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijen Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqëvet. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historija e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37).
 
KOSOVA S‘KA QENË KURRË TOKË SERBE
 
Vetëm fati dhe rasti i solli Serbët ta zgjedhin Kosovën si fushë lufte, mbasi në realitet Kosova nuk ka qenë kurrë ndonjëherë tokë serbe e vërtet dhe më vonë në rivendikimet e tyre Serbët, para dhe pas luftës ballkanike nuk kanë mundur ta provojnë që krahina e Kosovës dhe krahinat e tjera shqiptare fqinje ishin sllave, dhe as që munt t‘a provonin kur e aneksuan Kosovën, sepse numri i sllavëve ishte aty tepër i vogël. Sa për shprehjen "Stara Serbija", d.m.th. "Serbija e Vjetër", që serbët e përdorin zakonisht për ta quajtur kështu Kosovën, duhet theksuar se ajo shprehje nuk ka asnjë bazë historike dhe se Serbët e kanë shpikur vetë nga mezi i shekullit të XIX, për t‘i shërbyer më mirë qëllimevet të tyre ekspasioniste në dëm të Shqipërisë. Këtë taktikë e kanë përdorur edhe Bullgarët në propagandën e tyre me fjalën Maqedhoni, e cila ka mbetur si një shprehje gjeografike që nga kohët e vjetra kurse ata e kanë paraqitur Maqedhoninë si një tokë irredente bullgare pa marrë parasysh egzistencën e elementëve etnike të tjera. Për shembull Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Ohrija, paraqiten si pjesë të Maqedhonisë bullgare, kufitë e së cilës janë shënjuar arbitrarisht dhe pa asnjë karakter etnik e gjeografik. Këtë sistem ka përdorur në jugë edhe propaganda greke me fjalën Epir, e cila në realitet në dokumentat historike dhe letrare të vjetra është sinonim i Shqipërisë, ashtu si fjala epirote tregon çdo gjë që është shqiptare ose ka të bëjë me gjuhën shqipe. Gjuha shqipe tregohesh me fjalët "gjuhë epirote" dhe Skënderbeu njihesh në kohët e kaluara si Princ i Epirit. , kurse propaganda e fortë greke i ka shlyer këto gjurma përpara opinionit të përbotshëm. Para dhe pas luftës ballkanike shumë krahina shqiptare u aneksuan prej Serbis sa që munt të thuhet se një Shqipëri e dytë ekzistonte jashtë kufivet politike të Shqipërisë dhe kishte mbetur nënë sundimin e Serbëve. Të gjitha këto krahina quhen zakonisht në gjuhën shqipe; "Kosovë", edhe kur bëhet fjalë për krahinat që janë në shumë larg nga "Fusha e Kosovës". Për sa i përket Pejës dhe Jakovës (Gjakovës, shënimi ynë), ajo njihet prej nesh si pjes e Kosovës, kurse emri i vërtetë i saj në shqipe është "Dukagjin". Të huajt e tregonin me emrin me emrin "Metohi", meqë rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë pronë e kishës. Për të forcuar konsideratat historike, duhet kujtuar se në ngjarjet e zhvilluara në ato krahina shqiptare kanë një rëndësi të veçantë. Para ardhjes së Romanëvet dhe Sllavëvet në Ballkan, vendi ka qenë në dorë të Illirianëvet, stërgjyshër të Shqiptarëvet, të cilët u shquan sidomos me mbretërit e tyre në kohën e Teutës, me kryeqytet Shkodrën, dhe me mbretërinë e Dardanis, me kryeqytet Shkupin. Fiset dhe mbretërit ilirianë treguan një gjallëri të madhe dhe okuponin pjesën më të madhe të Ballkanit perëndimor. Veçanërisht mbretërija e Dardanisë që përfshinte gjithë Kosovën dhe kishte Shkupin si qendër, ka lojtar një rol historik me rendësi.
 
SLLAVËT RUAJNË KARAKTERISTIKAT E RACËS ILIRIANE
 
Kur Roma i okupoi vendet e ilirianëvet këta i ruajtën traditat dhe racën e tyre, ndërsa invazionet sllave që erdhën më vonë u përpoqën t‘i asimilojnë me çdo mënyrë, duke u ndërruar gjuhën, zakonet dhe fen, si dhe duke u vënë emra sllavë qyteteve dhe katundeve. Për këtë arsye gjejmë sllavë në Ballkan që e ruajnë edhe sot karakteristikat e racës iliriane dhe ngjasin më shumë Shqiptarëve se sa Serbëve. Në disa zona, të ndodhura midis Serbisë dhe Kosovës Shqiptare, popullsia nuk munt të dallohet me saktësi nëse është sllave a shqiptare, mbasi ajo flet të dy gjuhët dhe ka tradita e zakone të përziera. Si do ta shohim dhe më poshtë vetë serbët e pranojnë se më shumë bashkëkombas të tyre flasin serbishten edhe sot me aksent shqiptar, gjë që provon origjinën shqiptare të këtyre popullsive, Fiset shqiptare kanë humbur kështu egzistencën e tyre përpara invazionevet dhe propagandës sllave dhe janë serbizuar. Kështu kemi shembëllën e fiseve shqiptare të Kuçit e të Piperit dhe të Plavës e Gucisë që janë serbizuar von; të atilla shemblla kemi dhe në Novi-Pazar e në Senicë. Gjithashtu disa autorë janë të mendimit që populli malazez ka më shumë afinitet si racë me popullin shqiptar se sa me popullin serb. Njerëz të shquar serbë janë sot krenarë për origjinën e tyre shqiptare dhe i kujtojnë me mburrje emrat e fiseve shqiptare nga të cilat rrjedhin. Në rivendikimet e sllavëvet mbi tokat e Shqiptarëvet, argumenti kryesor është ay historik. Si Serbët ashtu dhe Bullgarët i bazojnë të drejtat e tyre në ngjarjet e kohëvet mesjetare, kur ato popuj invaduan
Shqipërinë dhe Greqinë dhe krijuan mbretëritë e tyre që në realitet ishin më shumë perandoria sllave me karakter fetar që përpiqeshin me çdo mënyrë të arrinin në Adriatik. Perandoritë e këtyre popujve sllavë patën të gjitha jetë të shkurtër dhe u detyruan mandej të tërhiqen duke u lënë vendasve të drejtën e vetëqeverimit dhe
tokat që ishin përpjekur të kolonizonin. Një shembull të këtillë e patëm edhe në shekullin t‘onë me Jugosllavinë, e cila në realitet ishte një perandori që donte të
sundonte popujt të ndryshëm, si Kroatët, Boshnjakët, Malazezët, Hungarezët, Rumunët, Maqedhonasit dhe Shqiptarët. Dëshira e sundimit arriti gjer në pikën sa të
fillojë një vepër kolonizimi në shkallë të gjerë në Kosovë, vepër e cila në këtë shekull dhe në mes të Evropës ishte një ndërmarrje kundër çdo parimi njerëzor dhe qytetërimi të sotëm, sidomos po të mirren parasysh metodat me të cilat u zbatua. Rivendikimet dhe programet e tyre të konolizimit Serbët dhe Bullgarët përpiqen t‘i justifikojnë me egzistencën e ndonjë kishe të mbetur nga kohët e kaluara dhe që kujton sundimin e shkurtër të mbretërve të tyre në Kosovë a në Maqedhoni, pa marrë parasysh se shqiptarët janë popullsi autoktone dhe se më shumë se çdo popull tjatër e kanë vaditur këtë tokë me djersën e tyre dhe me gjakun që kanë derdhur në sa e sa kryengritje që kanë bërë kundra serbëve dhe Turqëve. Nga ana tjatër, për të qenë edhe më objektiv, mund të thuhet se invazionet e ndryshme të Serbëve dhe
Bullgarëvet në Ballkanin perëndimor dhe jugor hyjnë në kategorinë e sa e sa invazioneve të tjera që pa Evropa dhe Ballkani në kohën mesjetare me këtë ndryshim
se serbët dhe Bullgarët zunë vend në Ballkan për gjithnjë, por kjo nuk munt të lejojë t‘u hanë të drejtën popujve fqinjë dhe aq më pak popujve autoktonë. Pasi turqit pushtuan Ballkanin dhe sundimi i tyre u stabilizua për afro pesë shekuj rresht,Shqiptarët jo vetëm që nuk u asimiluan prej sunduesit të ri, por e forcuan pozitën dhe
racën e tyre. Në fillim të pushtimit të Ballkanit, Turqit rezistencën më të fortë e gjetnë në popullin shqiptar i cili e vazhdoi luftën afro një shekull, për një kohë më të gjatë, dhe në një mënyrë më të shkëlqyer se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Sidomos rezistenca e vazhduar dhe e pathyeshme e Skënderbeut ua mbushi mendjen
Turqëvet se kishin të bënin me një element të shëndoshë, të cilin u përpoqën ta asimilonin vetëm nga pikëpamja fetare dhe ta mbanin të gjallë si racë, në mënyrë që populli shqiptar u bë një shtyllë rezistence kundër rrezikut sllav. Popujt sllavë, sado të mposhtur vazhdonin ekspansionizmin e tyre në dëm të popujve të tjerë fqinj. Sikundër shqiptarët të mos kishin marrë fenë myslimane, do të kishin asimiluar krejt Sllavët; kështu vetëm disa fise u asimiluan kurse shumica shpëtoi. Shqiptarët e Kosovës që ishin si pararoja e racës, zhvilluan kështu një luftë të dyfishtë dhe shekullore kundër sundimit turk që përpiqesh t‘i mposhte sa më shumë dhe kundër infiltracionit dhe veprës së asimilimit që u zhvillonin sllavët me anën e fesë dhe të propagandës. Kundër Turqëvet që përpiqeshin t‘i mposhtnin edhe më tepër, Shqiptarët ngrinin krye herë pas here, gjë që provohet nga të pesëdhjet e katër
lëvizjet kryengritëse shqiptare që regjistron historija turke, nga të cilat ajo e vitit 1668, që plasi në Mitrovicë, dallohet sidomos sepse muarnë pjesë në të të gjithë Kosovarët. Kjo lëvizje u shtri përtej Shkupit dhe kërcënoj rrugën e Selanikut (Tarih-Eb yl Farruk, faqe 13).
 
KONGRESI I BERLINIT QË COPËTOI SHQIPËRINË
 
Prapë në Kosovë ndodhen më von ndërmarrjet për ringjalljen e atdheut shqiptar. Fakti historik që e rifilloi rilindjen shqiptare ndodhi në vilajetin e Kosovës, në Prizrend, ku u themelua Lidhja e famshme me emrin Lidhja e Prizrenit (1878). Nga Kosova filluan të zhvillohen degët e kësaj organizate madhështore që si shkëndijë u përhap në shtytjen e ndjenjës kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë. Kosovarët ishin elementët kryesorë të Lidhjes që e vunë në zbatim programin e mbrojtjes së interesave shqiptare duke luftuar kundër Malazezëve, Serbvëve dhe Grekërve. Krijimi i Lidhjes u shkaktua nga traktati i Shën Stefanit (1878), i cili u rishikua mandej në Berlin. Krerët shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në mbledhjen e Lidhjes në Prizren vendosën: të shpëtojnë sidomos Atdheun nga coptimi i dekretuar nga Kongresi i Berlinit në favor të kombeve fqinj; së dyti t‘i imponojë Qeverisë otomane autonominë e Shqipëris brenda kufivet administrativ të katër vilajeteve të Janinës, Manastirit, Shkupit dhe Shkodrës, me Ohrin si kryeqytet, e më në fund ta përgatitin kombin për luftën e fundit, për pamvarësinë e tij të plotë. Përveç kësaj Lidhja dërgoi në Kongresin e Berlinit delegatët e saj, por desideratat e tyre u as që u dëgjuan, mbasi në atë mbledhje nuk kish njerëz që të tregonin dëshirë të mirë për të evituar të këqijat që i rezervoheshin Shqipërisë. Kështu që u vendos në atë Kongres coptimi tokave shqiptare për të kënaqur lakmit serbe, malazeze dhe greke. Por vullneti i Shqiptarëve të armatosur nuk u përkul prej këtij vendimi të padrejtë; për të ruajtur integritetin toksor shqiptar, Lidhja kundërshtoi me të gjitha fuqitë dhe me rezistencën e saj krenare. Fuqitë
shqiptare luftuan burrërisht në Plavë e Gusi dhe i shpëtuan ato krahina nga zgjedha malazeze. Ashtu luftuan dhe në Hot dhe në Grudë si dhe në Ulqin ku Evropa u detyrua të dërgojë një flotë ndërkombëtare për të kërcënuar Shqiptarët dhe nga ana tjetar e shtërngoi Sulltanin të bëje një ekspeditë për të dënuar kryengritësit shqiptarë që kishin vendosur më mirë të vdisnin se sa të lëshonin një pëllëmbë tokë të vendit të tyre.
 
NË PARATHËNIE AUTORI KA FALËNDERUAR
REUF FICON, PËR NDIHMËN E DHËNË
 
Në faqet e para të librit "Kosova, djepi i shqiptarizmit", autori i tij, Hamit Kokalari, ka bërë një parathënie të shkurtër, ku ka sqaruar me pak fjalë se pse i hyri atij studimi dhe në fund të saj i ka drejtuar një falënderim të veçantë, zotit Reuf Fico, (ish-diplomatit dhe politikanit të njohur, që në fundin e karrierës së tij shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut në Beograd), për ndihmën e dhënë dhe për dokumentet që ai pati mirësinë t‘i dorëzonte. Në parathënie, shkruhet: "Pak  njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund
të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeveetnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të
huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të
botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë
sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për
ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel
sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (18771881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e
mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar,
kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe
sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë".
 
LUFTËRAT SHEKULLORE TË KOSOVARËVE
PËR LIRI DHE PAVARËSI
 
Rezistenca e organizuar e Lidhjes së Prizrenit u solli për dy vjet me radhë shumë pengime Fuqive të Mëdha e Turqisë vetë dhe përgënjeshtroi mendimin e atyre që pretendonin se Lidhja ishte një krijesë dhe lojë e qeverisë së Stambollit. Turqia mundi t‘i dorzonte Malit të Zi Podgoricën dhe Shpuzën, por kur erdhi puna për dorzimin e Plavës dhe Gusisë, fuqitë shqiptare e kundërshtuan me armë. Si Mali i Zi ashtu dhe Qeveria e Stambollit nuk guxonin të përdornin forcën dhe çështja iu besua një komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufirit në vend. Por Lidhja i drejtoi komisionit një ultimatum, me të cilin njoftonte se nuk mund të njihte asnjë vendim të
marrë pa pëlqimin e saj. Me gjithë kërcënimin që bënte Mali i Zi nuk kishte mjaft fuqi për të filluar një veprim kundër shqiptarëve dhe Turqia vetë nuk mund të përdorte forcën, sepse populli shqiptar ishte ndezur gjer në pikën sa vrau Mehmet Ali Pashën në Jakovë dhe nga ana tjatër fuqia shqiptare sa vente dhe po shtohej. Mbi
ndërhyrjen e Italisë u arrit një rregullim i ri, në vend të Plavës dhe Gusisë u vendos t‘i jepej Malit të Zi Triepshi, Hoti, Gruda dhe Kelmendi, të banuara nga popullsi
shqiptare katolike. Mirpo, shqiptarët katolikë, të bashkuar me bashkëkombasit e tyre muslimanë çfaqën kundërshtimin e tyre për dorzimin e këtyre vendeve Malit të Zi, ndërsa Prenk Bib Doda, në krye të 10 mijë Mirditasve dhe Maslësorëve prej fisesh të ndryshme u përgatit t‘i vinte në ndihmë. Përpara këtij qëndrimi të patundur të Shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha u detyruan të marrin një vendim të tretë: dorzimin e Ulqinit Malit të Zi. Po dhe në këtë rast Shqiptarët çfaqën kundërshtimin e tyre dhe pa humbur kohë zunë pozitat e tyre mbi kodrat rreth Ulqinit. Por këtë herë puna dukej më e lehtë për Fuqitë e Mëdha sepse këto vendosën të bëjnë një demonstrim detar duke dërguar në Ulqin një flotë ndërkombëtare për të siguruar dorzimin e qytetit. Me
gjithë këtë dhe këtë herë përfundimi dukej i dyshimtë sepse vetë ambasadori i Francës në Stamboll, në një letër drejtuar qeverisë së tij më 27 gusht 1880, shprehesh me këto fjalë: "Sjellja e Shqiptarëve është në një shkallë sa Qeveria turke nuk ka besim në veten e saj e s‘ndodhet në gjendje për t‘u zotuar në një dorzim
tokash, për të cilën Liga Shqiptare nuk konteston. Liga Shqiptare më shumë se kurdoherë duket më pak e disponuar për të lënë copa të tokës shqiptare. Edhe Porta e Naltë as që do ta shtërngojë me forcë". Edhe popullsia e Ulqinit u çfaqi me shkresë Fuqive të Mëdha keqardhjen dhe kundërshtimin e saj për dorzimin e qytetit Malit të Zi dhe në bashkëpunim me organet e Lidhjes filloi të organizohej për një rezistencë të armatosur. Flota Ndërkombëtare që erdhi afër Ulqinit për të kryer detyrën e saj, u shtërngua të qëndrojë dy muaj pa arritur asnjë rezultat. U deshën të vinin fuqitë e dërguara prej Sulltanit të cilat pas një luftimi me Shqiptarët arrijtin të kryejnë
dorëzimin e qytetit Malit të Zi më 26 nëntor 1880, ngjarje të cilat u konsideruan dhe prej flotës që qëndronte në ujrat e Ulqinit prej dy muajsh. Po në atë kohë Hodo
Pasha një nga krerët e Lidhjes dhe Bib Doda, kryetari i Mirditasve që ishte solidarizuar më parë me shqiptarët që kishin vendosur të kundërshtonin me armë dorëzimin e Triepshit, Hotit, Grudës dhe Kelmendit, u kapën prej Turqëvet, të cilët me një anije lufte i dërguan në mërgim, dhe Oroshit, kryeqendrës së Mirditës, i vunë zjarrin.
 
SHQIPËRIA ETNIKE U IDEUA NGA ANGLEZËT
QË NË KONGRESIN E BERLINIT
 
Vlen të shënohet se në kohën e Kongresit të Berlinit disa burrave shteti englezë u ishte mbushur mendja të përkrahin tezën e të drejtave të Shqipërisë kundra lakmive të Sërbëvet dhe Malazezëve dhe të mendonin që atë herë për krijimin e një province të madhe shqiptare të përbërë prej katër vilajeteve: të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Midis të tjerave nxjerrim një pjesë të një letre të ambasadorit anglez në Stamboll Lord Goshen drejtuar Ministrisë së Jashtme më 26 korrik 1860. Problemi shqiptar nuk mund të përcaktohesh më mirë por mjerishtë gjitha këto mendime dhe dokumenta të tjera përkatëse u mbuluan nga pluhuri i arkivave zyrtare dhe kur u riçel çështja shqiptare në raste të tjera, sidomos në kohën e luftës ballkanike dhe në Konferencën e Ambasadorëve ne Londër më 1913, nuk u muarrën parasysh. Dihet se mbretërisë serbe Kongresi i Berlinit i dhuroi Nishin, Leskopvacin, Prokupuljen, Kurushlumin dhe Vranjën, krahina që në ato kohë ishin të banuara në shumicë prej Shqiptarësh, kurse sot shumica e popullsisë së tyre është serbe për shkak të infiltracionit sllav. Por lakmia e tyre vente duke u shtuar,
sulmuan tokat shqiptare më të afrime në jug dhe arrijtën në portat e Prishtinës, në grykat e Kulinës, ku mbasi u përpoqnë me disa fuqi të pakta shqiptare që arritën në
vend, u dërrmuan dhe u shtërnguan të tërhiqen drejt vijës që u kishte caktuar Kongresi. Përpjekjet e shqiptarëve dhe luftrat heroike të tyre në kohën e Lidhjes së Prizrenit përbëjnë epokën shqiptare që poeti kombëtar At Gjergj Fishta e bëri të pavdekshme në poemin e tij "Lahuta e Malcis". Veprimtaria e Lidhjes nuk mbaroi me kaq: episodi më i shquar i asaj periudhe ndodhi në funt me rastin që u muarrën masa që i siguruan Shqipërisë autonominë e saj. Ngjarjet u zhvilluan sidomos në Kosovë dhe me gjithë se përpjekjet e Shqiptarëve dështuan dhe u shtypën prej fuqive turke, vëlejnë të vihen në dukje me shumicë se të gjitha ngjarjet e tjera të asaj kohe sepse formojnë një dokument historik të vlefshëm që provon vullnetin e popullsisë së Kosovës për liri dhe pavarësi dhe për pranverën e Shqipërisë.
 
KUVENDI I DIBRËS: DUAM AUTONOMINË E SHQIPËRISË
 
Lidhja kishte përgatitur sheshin me kohë për të bërë një mbledhje të përgjithshme në të cilën do të mirrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare për të kërkuar zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë. Me rastin e kësaj mbledhje qendra e Lidhjes u transferua përkohësisht nga Prizreni në Dibër me qëllim që të luftonte aspiratat e Bullgarëve në Maqedhoni dhe lëvizjet e komitave të tyre që atëhere kish filluar të vepronte në lindje të Shkupit dhe në Prilep. Në tetor 1880, pesëmijë përfaqësues të ardhur nga të gjitha krahinat shqiptare u mblodhnë në Dibër dhe midis të tjerave vendosën të kërkonin zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë etnike. Premtimet e bëra më parë prej Sulltanit në raste të ndryshme kryetarëve shqiptarë nuk po zbatoheshin, prandaj Lidhja duhesh të vepronte pa humbur kohë. U caktua si kryeqytet Ohri dhe u vendos që krahinat e Shqipërisë etnike autonome të administroheshin nga nëpunsa shqiptarë, me gjuhë zyrtare shqipen dhe me shkolla shqipe në të gjitha viset. Njëkohësisht u muarrën masa për të luftuar çetat bullgare. Kërkesat e mbledhjes iu paraqitën Sulltanit, por pasi mbetën pa përgjigje Lidhja mori nisiativën dhe filloi të vinte në zbatim programin e vetë duke dëbuar prefektët e emëruar nga Stambolli dhe duke i zëvendësuar këta me nëpunës të tjerë nga njerëzit e saj. Kështu u dëbuan prefektat e Shkupit dhe të Dibrës; dhe valiu i Prishtinës i kërcënuar nga fuqitë shqiptare ua arratis. Mbasi shpërndanë disa nga garnizonet turke dhe muarrnë dhe municione, fuqitë shqiptare e shtrinë autoritetin e Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Dibër, ndërsa Gjakova, Luma dhe të tjera krahina i bashkuan fuqit e tyre me ato të Lidhjes. Në Shkup dhe Prizren garnizoni turk u mbyll me forcë dhe popullsia shqiptare lidhi besën që të
bashkohesh me Lidhjen. Përpara kësaj gjendje Sulltani u ndodh shumë ngusht dhe nuk dinte se ç‘vendim të merrte: të zbatonte premtimet për autonomi të bëra më parë shqiptarëve, apo t‘a çdukte Lidhjen me forcë mbasi rreziku i jashtëm për Turqinë ishte shuar përkohësisht. Shumë nga njerzit e rrethit të tij e këshillonin për vendimin e dytë dhe kështu u bë.
 
EKSPEDITA NDËSHKUESE E SULLTANIT NDAJ
KOSOVËS MË 1881-SHIN
 
Më 25 mars 1881, një ushtri turke e armatosur mirë me mjete moderne dhe e komanduar nga Dervish Pasha arrinte nga Selaniku në Shkup, ku u arrestuan menjëherë shumë anëtarë të degës së Lidhjes në atë qytet dhe u dërguan në Selanik prej ku më vonë u përcollnë në internim në kështjellën e Rodosit. Mandej Dervish
Pasha dha urdhër për të pushtuar të gjithë hekurudhën Shkup Mitrovicë. Mbi këtë, Lidhja i dha kushtrimin Kosovës dhe fuqitë shqiptare u grumbulluan në krahinën e Stimjes, midis Prishtinës dhe Prizrenit. Në përpjekjen që ndodhi atje, fuqitë shqiptare përpara forcave ushtarake turke të armatosura mirë, u detyruan të tërhiqen duke lënë 300 të vrarë dhe të plagosur. Pas pak kohe ushtrija turke shkoi në drejtim të Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës, ku morri masa kundër udhëheqësve të fuqisë shqiptare dhe kundra drejtuesve të Lidhjes, prej të cilëve një pjesë u arratisën, disa u internuan dhe disa të tjerë u mbajtën peng me qëllim që t‘i pritesh hovi ndonjë sulmi që mund të bënin malsit. Me gjithë këtë Lidhja e Prizrenit pati më vonë një periudhë ringjalljeje dhe filloi rishtaz nga veprimtarija në Pejë, ku më 1899, në një mbledhje në të cilën muarrën pjesë krerët shqiptarë për të kundërshtuar kërkimet dhe lakmit e fuqive ballkanike fqinje, u vendos: a) mbrojtja e tokave të Sulltanit nga çdo grabitje; b) kundërshtim për çdo ndryshim në administratën e Maqedhonisë. "Katër vjet më vonë (1903), u bë një protestë simbas bisedimeve dhe vendimeve të Pejës kundër projekteve austro-ruse për reforma në Maqedhoni dhe me këtë rast tre mijë shqiptarë të Kosovës ngritnë krye dhe vranë për reprezalje Konsullin e Rusisë, Scherbinë, në Mitrovicë". (Antonio Baldacci; L‘Albania, faqe 141). Në realitet vrasja e konsullit të Rusisë ndodhi sepse ay kishte marrë pjesë në luftimet kundra shqiptarëve. Duhen permëndur më në fund luftrat e shqiptarëve kundër Turqisë gjatë periudhës 19081912, nga të cilat beteja e Kaçanikut (1910) dhe fitorja që i shpuri kryengritësit shqiptarë, nënë udhëheqjen e krerëve të tyre Isa Buletini, Hasan Prishtina, dhe Azem Bejta, në qytetin e Shkupit dhe gjer në Veles (1912), dëshmojnë vullnetin e pathyer të Shqiptarëve që të realizojnë indipendencën e atdheut të tyre me integritetin tokësor të Shqipërisë.
 
LUFTËRAT E KOSOVËS KUNDËR TURQVE TË RINJ
 
"Në 1909, fiset muslimane të Kosovës ngritën krye duke marrë si shkak pagimin e taksave dhe vetëm në funt të tetorit kryengritja dukej se u mposht nga forcat e mëdha turke. Luftimet u zhvilluan sidomos në distriktin e Lumës, ku Isa buletini udhëhiqte rebelët. Më 1910, të tjera fise të Kosovës ngritën krye po për atë arsye; gjatë stinës së verës 50 mijë ushtarë të rregullt turq mezi mjaftuan për të çarmatosur popullsin. U shkatërruan katunde të tëra dhe u kryen gjithë atrocitetet në të cilat Turqit dijnë të tregojnë zotësi, por shqiptarët u betuan që të çpagonin turqit vuajtjet që këta u kishin shkaktuar komandantëve të rebelëve". (A. Baldacci; l‘Albania, faqe 143).
Dhe në Shqipërinë e mesme dhe të jugës shpirtërat ishin ndezur kundër Turqisë por aty më shumë se sa për taksat pakënaqësia vinte nga ndalimi i gjuhës shqipe, sepse Turqit e Rinj mbyllën shkollat shqipe që më parë ishin lejuar simbas programit liberal të çpallur prej tyre. Politika e Turqëve të Rinj ishte ndryshuar dhe ishte bërë më e rreptë se ajo e Sulltan Hamidit: qëllimi i kësaj politike të re ishte që të turqizonte me forcë të konsiderueshme që bëri Turgut Shevqet Pasha në
muajin prill kundra Malësivet të Shkodrës ku pësoi mjaft dëme, në muajin maj bashkoheshin dhe Mirditasit me rebelët dhe proklamonin autonominë e tyre duke emëruar një qeveri provizore. Një komitet qendror shqiptar ishte formuar dhe kërkonte që të gjitha vendet shqiptare të përmblidheshin në një vilajet të vetëm, që
shkollat shqipe të mbaheshin prej shtetit dhe që milicija shqiptare në kohë paqeje duhesh të bënte shërbimin ushtarak në tokë shqiptare. Vijonin dhe njëmbëdhjetë pika të tjera për të cilat shqiptarët kërkonin zbatimin nga ana e Turqisë; njohja e kombësisë shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat dhe në administratën
lokale, garancia të ndryshme mbi funksionimin e administratës në Shqipëri, pagimi i dëmeve të kryera nga ushtritë e operacionit kundër kryengritësve, dënimi kundër fajtorëve, çlirimi i të dënuarëve politikë etj...Nga frika e një ndërhyrje nga ana e të huajve, Qeverija e Stambollit i dha urdhër Turgut Pashës që t‘u bënte konçensione Shqiptarëve, konçensione të cilat në realitet mbetën të pazbatuara.
 
KRYENGRITJA E VITIT 1912
 
Në fillim të vitit 1912 qeverija turke përpiqet t‘i marrë shqiptarët me të mirë dhe dërgon në Shkodër ministrin e brendshëm për t‘u marrë vesh me shqiptarët për reformat që mund të bëheshin në Shqipëri, por shqiptarët as që afrohen. Malësorët dhe Mirditasit fillojnë të lëvizin rishtaz dhe kryengritja përhapet gjer në Kosovë ku merr propocione të jashtëzakonshme. Kryengritasit pasi marrin Prishtinën drejtohen për në Shkup dhe arrijnë gjer në Veles duke kërcënuar kështu rrugën e Selanikut.
Përpara këtyre ngjarjeve qeverija turke përunjet, shpërndan parlamentin, u premton autonomin  Shqiptarëve dhe pranon trembëdhjetë pikat e kërkesave të tyre. Në ato kohë çështja bëri bujë të madhe, i hapi sytë botës dhe i detyroi të huajt të njohin realitetin. Koalicioni i fuqive ballkanike që ndiqte me vërejtje zhvillimin e gjendjes nuk e shihte me sy të mirë krijimin e një Shqipëria autonome e cila do t‘u pakësonte pjesët që do t‘u takonin kur të copëtohesh Turqija e Evropës midis tyre. Disa muaj më vonë aleatët ballkanikë hynin në fushën e luftës kundër perandorisë otomane dhe arsyet e kësaj ndërmarrje luftarake kanë qenë, siç e pohojnë vetë të interesuarit, dobësimi i Turqisë nënë grushtet që i kishin hequr kryengritjet shqiptare dhe frika e krijimit të një Shqipëria të lirë dhe me kufijt e saj etnik. "Ministri Bullgar Gjecov pranon në veprën e tij l"Aliance Balcanique", se kryengritja shqiptare ka qenë shkaku
detirminonjës i koalicionit dhe i luftës që u fillua kundër qëverisë fatëzezë të komitetit "Bashkim e Përparim", orvatja shqiptare, shkruan ai, kishte nxjerrë në shesh dobësin e pazotësin e tij. Kështu luftrat dhe kryengritjet e shqiptarëve që për pak i siguruan indipendencën Shqipërisë etnike që më 1912, përfunduan në dobi të shteteve të tjerë ballkanike, të cilët kur filluan luftën e tyre kundra Turqisë e gjetnë sheshin e përgatitur për një fitim të shpejtë dhe të sigurtë, dhe kontributi që kishin dhënë shqiptarët për rrëzimin e sundimit otoman në Ballkan shkoi në dobi të fuqive ballkanike aleate. Duhet theksuar nga ana tjatër se Manastiri dhe Shkupi ishin bërë qendrat e propagandës për çlirimin e kombit, në Manastir u mblodhnë kongreset e para të gjuhës shqipe (1908), ndërsa qendrat e shoqatës "Bashkimi" për mësimin e gjuhës shqipe u përhapnë në të gjitha qytetet e Kosovës pas shpalljes së Hyrjetit (1908). Gazeta e rivista në gjuhën shqipe botoheshin në Shkup e në Manastir. Lëvizja shqiptare zgjoji atëhere kureshtjen e interesimin e të huajve dhe "Albanian Committe" në 
Londër, paraqiti në 1913 në Konferencën e Ambasadorëve një hartë të Shqipërisë etnike që i afrohesh mjaft vijës etnike të vërtetë. Materiali për një punë të këtillë nuk mungonte sepse shumë studiues ishin marrë me çështjen që më parë dhe kishin botuar harta etnografike të ndryshme që megjithë mungesat dhe të metat e tyre deri diku plotësojnë njëra-tjetrën. Këto harta janë riprodhuar në librin e Lumo Skëndos
"Albanais et Slaves". Lausanne 1919) dhe në botimin "Les Bulgares fans lerus frontuieras historiques, etnographiques et politizues". Berlin 1917). Prej Dr. Rizoff. Një hartë etnografike e vlefshme është dhe ajo e Prof. Dr. J.J. Kettler e botuar në Berlin më 1919.
 
JETËSHKRIMI JETA TRAGJIKE E INTELEKTUALIT TË
FAMSHËM, QË IU KUSHTUAÇËSHTJES SË KOSOVËS
 
Kush ishte Hamit Kokalari?
 
Hamit Kokalari, autori i veprës së famshme "Kosova, djepi i shqiptarizmit", u lind në vitin 1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ai ishte pinjoll i një prej familjeve nacionaliste më të njohura të jugut të Shqipërisë, ku të parët e saj ishin shkolluar në universitete të ndryshme të botës. Babai i Hamitit, Reshat Kokalari, ishte një
intelektual tepër i njohur, sidomos për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Gjirokastrës. Hamiti kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Muntazin e Vesimin, si dhe një motër: Musinenë. Ashtu si shumë pinjollë të tjerë të trungut të Kokalarëve, që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës, edhe Hamiti në vitet tridhjetë u diplomua në një prej fakulteteve të Francës në Jurisprudencë.
Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1942-1943, ai shërbeu për pak kohë në administratën e lartë vendore të Kosovës dhe pranë ambasadës shqiptare në Shkup të Maqedonisë. Gjatë asaj periudhe, Hamiti u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me mjaft politikanë e intelektualë të njohur me bindje nacionaliste të atyre trevave shqiptare, të cilët e ndihmuan atë në punën hulumtuese, studiuese dhe shkencore për veprën e tij "Kosova, djepi i shqiptarizmit", të cilën ai e botoi në Tiranë në vitin 1943. Përveç një pune tepër të madhe studimore e shkencore, ku autorit iu desh të shfletonte edhe arkivat sllave, ajo që vlen për t‘u theksuar në botimin e atij libri, ishte edhe kurajoja e guximi i autorit, i cili e botoi atë pikërisht në periudhën kur Partia Komuniste e Shqipërisë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe emisarët serbo-malazezë, që drejtonin e udhëhiqnin realisht lëvizjen komuniste në vendin tonë, kishin filluar një valë terrori kundra nacionalistëve shqiptarë. Menjëherë pas mbarimit të luftës, në dhjetorin e vitit 1944, dy vëllezërit e Hamitit, intelektualët e njohur me bindje nacionaliste: Muntaz dhe Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq në një nga bodrumet e hotelit "Bristol" në qendër të Tiranës, ku ata mbaheshin të lidhur që prej disa kohësh. Sipas mjaft dëshmive të dhëna pas viteve ‘90, ekzekutimi i tyre është bërë me urdhër direkt të Enver Hoxhës, për motive personale të veta. Sipas dëshmive të intelektualit, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur, Mexhit Kokalari, pak ditë pas ekzekutimit të tyre, kur Fejzie Kokalari shkoi të ankohej tek Enver Hoxha për gjëmën që u kishte ndodhur, Enveri i tha asaj: "Muntazin dhe Vesimin bëmë mirë që i pushkatuam, ndërsa Hamiti duhet të na falënderojë që e lamë gjallë për mëshirë, se ishte i sëmurë nga tifua. Hamiti ka hedhur shumë gurë kundër Jugosllavisë motër. Të rrinë urtë bashkë me Musininë se po e lëvizën bishtin do t‘i dërgojmë te dy vëllezërit".
 
( Dhe Enveri e mbajti deri diku fjalën e tij: intelektualja e famshme Musine Kokalari, e cila ishte laureuar për Letërsi në një nga universitetet e Italisë, u burgos dhe u internua për vite me radhë, deri sa mbylli sytë e vetme në një kthinë të errët të qytetit të Rrëshenit në vitet ‘80).
 
Edhe pse kishte marrë kërcënimin direkt nga Enver Hoxha, Hamiti vazhdoi tëmerrej me çështjen e Kosovës, me qëllim që ta zgjeronte, kompletonte dhe ta ribotonte përsëri studimin e tij "Kosova, djepi i shqiptarizmit". Kështu, dy tre vjet pas botimit të librit, Hamit Kokalari i dërgoi një letër Nexhmije Hoxhës, ku i kërkonte ribotimin e librit, por përgjigjja që erdhi prej saj ishte negative. Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë gjashtë gjuhë të huaja. Pas një sëmundjeje të gjatë, Hamit Kokalari u nda nga jeta në vitin 1989. Libri i tij, "Kosova,
djepi i shqiptarizmit", u ribotua në Itali në vitin 1962 nga një grup intelektualësh të njohur nacionalistë shqiptarë dhe parathënia e tij u shkrua nga Abaz Ermenji.
 
 

 

powered by Beepworld