Zhuri përballë Pashtrikut

               Me rastin e 93 vjetorit të kryengritjes së vitit 1915

    KRYENGRITJA SHQIPTARE E VITIT 1915

Shkruan:  Sheradin BERISHA

Më 05.02.2007

“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh,

 kanë me i gjet shejet tona”. Hasan Prishtina

 

Shqipëria në periudhën e sundimit nga Wilhelm Vidi

   Ndonëse Shqipëria në periudhën 7 mars 1914 - 3 shtator 1914 administrohej nga princi gjerman Vilhelm Vid, gjatë kësaj kohe Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare, që me vendim të Konferencës së Londrës, u lanë nën pushtimin serb, përjetonin çastet më të vështira në historinë e saj. Asokohe udhëheqësit e kryengritjes: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini dhe qindra refugjatë tjerë nga Kosova, që ishin larguar pas kryengritjes së tetorit 1913, ndodheshin të strehuar në Durrës dhe në Shkodër. Princi V.Vid dhe qeveria e tij, meqë nuk arritën të krijonin një stabilitet të qëndrueshëm politik brenda kufijëve të Shqipërisë londineze, atëherë kishte pak shpresa se do të bëheshin hapa konkret nga ai, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, ashtu siç kishin menduar disa krerë kosovarë,në fillim të ardhjes së Vidit në Shqipëri. Kështu që me kohë u  shtrua si detyrë imperative e vet shqiptarëve që të përgaditen për një kryengritje çlirimtare,kundër pushtuesve serb. Dhe këtë barrë të rëndë do ta marrë përsipër atdhetari Hasan Prishtina.                                         

 Përgatitjet e Hasan Prishtinës për kryengritje të armatosur

   Në gjysmën e dytë të vitit 1914, Hasan Prishtina pasi ka braktisur postin e ministrit (të postë-telegrafëve) që mbante në qeverinë e Durrësit, kaloi në Shqipëri të Veriut me qëllim të organizimit të një kryengritjeje antiserbe. Ishte koha kur Serbia qe zënë në luftë me Austro-Hungarinë, për shkak të vrasjes së princit Franc Ferdinand (më 28.VI.1914) në Sarajevë dhe këto rrethana Hasan Prishtina i konsideroi si të favorshme për përgatitjen e një kryengritjeje  për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare. Më 6 gusht 1914 konsulli austriak Karl, nga Durrësi njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë “mbi fillimin e aksioneve kundër pushtuesve serb” nga Hasan Prishtina, Selim Batusha, Bajram Daklani, Qazim Begolli e Halim Deralla (djali i Mehmet Derallës-Sh.B), të cilët kishin me vete ”lëndë plasëse dhe municion për mauzerët”.1

Hasan Prishtina

Dy ditë më vonë (8 gusht) z.Karl përsëri njoftonte Vjenën për një protestë të konsullit  Serb Gavrilloviq, drejtuar qeveris shqiptare(të Durrësit) për fillimin e përgatitjeve të shqiptarëve kundër serbëve, të udhëhequr nga Hasan Prishtina. Se kjo çështje në aspektin diplomatik, ishte bërë tepër shqetësuese për Serbinë, kuptohet edhe nga një njoftim i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dërguar legatës mbretërore serbe në Romë, më 12 gusht 1914. Aty vihet në dukje veprimtaria  e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit etj, kundër  politikës shoviniste serbe”.2 Këto konfirmohen edhe nga shtypi i kohës.                                                                    

Cili ishte itinerari i Hasan Prishtinës, pas largimit nga Durrësi

   Sipas kujtimeve të I.Strazimirit, nga mbarimi i korrikut të vitit 1914, Hasan Prishtina me nja 150 dibranë e luftëtarë tjerë nga Kosova, ishte nisur nga Durrësi dhe fillimisht ndalon në Peshkopi. Këtu ai tubon parinë e Dibrës dhe në bisedë me ta, thekson se Austro-Hungaria ka sjellë në Shëngjin armë e municion, dhe kërkon që të përgaditet një kryengritje  kundër pushtusve serb. Kjo kryengritje-sipas Hasan Prishtinës-duhej bërë sa më parë dhe pa ndihmën e një shteti të huaj. Në tubimin me dibranët Hasan Prishtina kërkoi të miratohej edhe kjo deklaratë:

  1.T´i kërkohej Serbisë lirimi i tokave shqiptare, sepse nuk janë të saj dhe ajo nuk ka të drejtë dhe as është e aftë t´i qeverisë;

  2.Në rast se Serbia nuk pranon t´i lirojë me hir, ndaj saj do të përdorim forcën...3

  Prej Dibrës Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij, kalon në krahinën e Lumës. Ato ditë para se të arrinte Hasan Prishtina në Lumë, krerët e kësaj krahine në një kuvend të mbajtur në Bicaj, kishin vendosur (lidhur besën) që të mos përzihen (të mbeten asnjënës) në zhvillimet politike dhe ushtarake të kohës. Në marrjen e këtij vendimi kishin ndikuar edhe ngjarjet dramatike të tetorit-nëntorit 1913, kur 27 fshatra të Lumës qenë djegur e shkrumuar, ndërsa u vranë e u masakruan edhe qindra lumjanë nga ushtria barbare serbe. Përkundër këtij vendimi ai gjeti përkrahjen te një pjesë e krerëve lumjanë si te Hoxhë Mehmeti, Qazim Lika, Sali Spahija, Sulë Elezi, Xhafer Bislimi, Xhafer Shema, Laçët e Bardhocit..., por edhe te vet nënprefekti i Lumës me seli në Bicaj Sadik Gostivari. Në fshatrat e Lumës ndodheshin edhe dhjetra atdhetarë që kishin ikur nga Kosova dhe pritnin momentin për t´u kthyer atje. Gjatë kësaj kohe Hasan Prishtina qe strehuar në shumë familje atdhetare të Lumës si: në Kolesjan, në Kukës, në Shtiqën, në Bicaj, në Gjinaj, në Kalimash, në Surroj, në Bardhoc, në Has etj.4

Lumjani Xhafer Bislimi

  Ai pati lëvizur edhe në Has e në Malzi për t´i bashkuar malësorët e kësaj zone në luftë kundër pushtuesve serb. Një gjë të tillë do ta bënte edhe Bajram Curri në Malësi të Gjakovës. Lëvizje kryengritëse ka pasur edhe në krahinën e Dibrës, por jo në përmasa të mëdha.

 Në shkurt 1915 me nismën  e Hasan Prishtinës (i ndihmuar edhe nga krerët lumjanë dhe nënprefekti Sadik Gostivari) në Lumë u organizuan dy kuvende në: Bicaj e në Kullë të Lumës.

   Në Kuvendin e parë që u mbajt në xhaminë e Halil Agës, në Bicaj morën pjesë shumë krerë lumjanë dhe krerë tjerë nga viset e Kosovës, të strehuar në Shqipëri, si: Hasan beg Gizolli, sheh Hasani i sektit rrufai (Prizren), Ajet e Selim Dervina, Mehmet Konjuhi (Llap), Keri i Sadik Bardhit, Sadik Gostivari, Mehmet Delia, Isuf Mehaniqi, Rexhep Delia i Pozheranit etj5. Nga krerët e lumës qenë  Sulë Elezi dhe i nipi Xhaferi, Isuf Dina (Bicaj), Mustafë Zyberi (Surroj), Hoxhë Mehmeti e Xhafer Shema (Shtiqën) etj, por nuk erdhën aty Islam Spahija, Cen Daci e ndonjë tjetër, sepse i qëndruan besnik besës së lidhur (në mbledhjen e Dheut) për të mos u përfshirë në zhvillimet politike të kohës. Në kuvend u bisedua për përgaditjet që duhet bërë për të sulmuar forcat serbe në kufi e për të çliruar më pas Prizrenin e vendet tjera nën pushtim.6

   Pas këtij kuvendi, Hasan Prishtina për të hulumtuar situatën politike dhe ushtarake në Prizren e rrethinë, atje i dërgoi tre lumjanë: Xhafer Shemën (Shtiqën), Sinan Hysenin (Shahe) dhe Rasim Istrefin (Ramhas)7 të cilët gjatë tërë kohës propaganduan kundër regjimit pushtues serb si dhe regrutuan njerëz në shërbim të çështjes kombëtare. Në Prizren dhe në fshatrat përreth u shpërndanë trakte e thirrje për kryengritje, ndërsa për të penguar agjenturat serbe u shtua vigjilenca në krahinën e Lumës e të Hasit.8

Beteja e përgjakshme e Zhurit

    Pasi u bënë përgatitjet e duhura dhe u sigurua një forcë goditëse prej më shumë se 300 vetësh(disa burime flasin për 600 vetë) në kuvendin e dytë të mbajtur në Kullë Lumë, u përgadit plani për të sulmuar fillimisht Garnizonin serb të dislokuar në fshatin Zhur.

Fshati Zhur ku u zhvillua beteja e 13 shkurtit 1915

   Kryengritësit shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina dhe krerët tjerë: Hasan beg Gizolli, Ajet e Selim Dervina, Mehmet Konjuhi, Keri i Sadik Bardhit, Mehmet Delia, Isuf Mehaniqi, Sulë Elezi, Xhafer Bislim Elezi, Mustafë Zyberi, Isuf Dina, Cen Seda, Januz Kurti, Xhafer Shema etj, nga Kullë Luma u përqëndruan në fshatrat Bardhoc e Morinë dhe pastaj në orët e hershme të mëngjesit të datës 13 shkurt 1915, nëpër bjeshkët e këtij fshati, vazhduan rrugën për në Zhur. Meqë luftëtarët i kishin zënë të gjitha shtigjet dhe rugët që të shpienin në drejtim të grykës së Zhurit, fillimisht grupi i drejtuar nga Hasan Prishtina i këputën telat (lidhjet) telegrafike e telefonike 9 në malet e Koretnikut. Gjatë kësaj kohe në krahun e djathtë të shpatit të malit Koretnik do të arrijnë edhe malësorët nga fshatrat: Zapod, Belja, Lojme, Nimc të udhëhequr nga Rasim Selmani, për të mbështetur sulmet që do të kryhen kundër përqëndrimit të forcave kufitare serbe.10 Kryengritësit shqiptar në agun e mëngjesit, të ndihmuar nga mulla Nasuf Hoxha i Zhurit, u futën në fshat dhe pasi e rrethuan garnizonin serb, luftëtarët u vendosën nëpër llogore-istikame që i kishin hapur vet forcat serbe. Shenja e fillimit të sulmit qe shpërthimi i një bombe nga luftëtari Xhemë Voka prej Shtiqënit. Komanda serbe e alarmuar nga shpërthimi, dha alarmin për të dalur në pozicione, mirëpo forcat shqiptare sulmuan furishëm repartet serbe. Luftimet qenë të përgjakshme dhe pati përleshje trup më trup.

      Me kryengritësit, u bashkuan edhe shumë burra të Zhurit, Dobrushtit, Shkozës e të Vërmicës, të cilët me pushkë e sopata, kosa e thika, sulmuan ushtarët serb. Kushtrimin për t´ju bashkuar radhëve të Hasan Prishtinës e dha atdhetari zhurjan Asllan Rexhë Ademaj i cili në ato çaste bëri thirrje: ”Bini burra, bini trima, ja sot ja kurrë, ka ardhur koha me e largue shkaun nga vatani!”11 Në këtë betejë që zgjati disa orë rresht u vranë rreth 100 ushtarë serb, (përfshirë këtu edhe disa oficerë) dhe repartet e armikut u shpartalluan plotësisht.12 Kryengritësit  shqiptar pasi morën nën kontroll Qafën e Zhurit marshuan në drejtim të Prizrenit. Ndonëse krismat e bombave dhe të pushkëve kishin alarmuar edhe komandën qëndrore serbe në Prizren, ajo në drejtim të Zhurit kishte nisur disa reparte ushtarake. Ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare kishin arritur tek Ura e Vlashnjës (në jug të Prizrenit) ata do të përballen me repartet serbe. Kryengritësit shqiptarë duke u përqëndruar në zonën-Bregu i Drinit - Vlashnje - Poslisht-Billushë, zhvilluan një përleshje të përgjakshme me repartet serbe, të cilat me këtë rast përdorën edhe artilerinë e rëndë. Në këto përleshje nga predhat e topit u vranë: Nebi Latifi e Brahim Jashari nga Brruti dhe dy burra trima nga fshati Kabash i Prizrenit. Pas një qëndrese heroike, forcat shqiptare (në munges të municionit) dhe të ndodhur përballë një armiku shumfishë më të madh në numër e të armatosur me topa e mitralozë, u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zhurit, për të kaluar pastaj nëpër malet e Koretnikut dhe të Gjalicës në thellësi të krahinës së Lumës. Hasan Prishtina pas largimit nga zona e luftimeve, duke e përjetuar rëndë këtë disfatë do të deklaronte: ”Na luftojmë e ndoshta gja nuk gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh kanë me i gjetë shejet tona...”13 Hasan Prishtina me disa luftëtarë nga fshati Dobrusht kalon Drinin e Bardhë dhe del në Has, prej nga pas disa ditësh do të shkoj në Shkodër.

   Për Betejën e Zhurit janë thurur edhe këngë popullore. Rapsodi popullor për këtë betejë ka thurur edhe këto vargje::

   “...N´Kull´të Lumës jan´bashkue, / diqin gjem jan´besatue. / Sul´Elezi foli´i fjalë: “Kush asht burr´e kush asht gjalë, / shpejt kufinin m´e kalue, / mar-e Zhurin m´e rrethue, / Hasan Prishtinën m´e ndihmue”... /Hasan Prishtina kobec14 ish kanë, / Po m´i prin´mirë kta lumjanë, / Mar´ llagamet i ka rrethue, / Shum-e shkijet i ka damtue.

     Pas kësaj kryengritjeje të përgjakshme, banorët e fshatrave Zhur, Shkozë, Dobrusht e Vërmicë, për t´i shpëtuar masakrave serbe, u  detyruan të  shpërngulen dhe u strehuan në fshatrat e Lumës: Shtiqën, Nangë, Bicaj, Gabrricë, Kolesjan etj. Ata qëndruan rreth 3 muaj larg shtëpive të tyre dhe pikërisht ditën e shëngjergjit, më 6 maj 1915 do të kthehen në vatrat e veta, tanimë të plaçkitura e të djegura nga ushtria serbe dhe serbët vendas (sreckalitë), të ashtuquajtur “raja serbe” e Prizrenit.15

    Pushtuesit serbë, përkundër vrasjeve e masakrimeve, djegjeve e shkatërrimeve të  vendbanimeve shqiptare, çarmatosjes me dhunë, marrjes peng dhe burgosjeve të shumta..., shpërnguljeve të mijëra shqiptarëve për në Turqi e gjetk, nuk mundën ta shuanin dot qëndresën shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar.


------------------------------
REFERENCAT

1Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.2658 (cit. Hasan Prishtina-dokumente,Tiranë 1983-/ dok.50,fq.927)

2 Po aty, /Hasan Prishtina-Dokumente, Tiranë 1983-dok.51, fq.93; dok.53,fq.94/96.

3Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002,f.266-267 /I.Strazimiri (Kujtime 1910-1924) AIH Dosja A-VII-94.

4Sh.Hoxha-Portrete e syzime atdhetarësh, Tiranë 2002,fq.168.

5 Mustafë Mamusha 78 vjeç, Kujtime...Kukës 18.12.1968.

6 Sh.Hoxha-Vepra e cituar,fq.46./ Sh.Hoxha-Luma në luftat për liri...,fq.270.

7 Kujtime nga plaku 86 vjeç Xhafer Shema nga Shtiqëni, 04.02.1972.

8 Po aty,/Xheladin Rustemi  nga Nanga dhe Xhafer Shema nga Shtiqëni-kujtime nga ato ngjarje.

  -Në janar 1915 ishte kapur spiuni Isa Çaushi (Kuqoshi) që punonte për  Serbinë dhe varet në Bicaj.

   Sipas një    njoftimi në revistën”Përparimi” nr.4/1916,Isa ishte prizrenas i cili ia kishte shitur shpirtin Serbisë.

9Xh.Shala-Marrëdhëniet Shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990,fq.240/241.

10 Q.Mataj-Hoxhë Mehmeti 1867-1927, Kukës 2002,fq.132.

11 Ibish Avdi Rizanaj,Kujtime në dorëshkrim,Zhur gusht 1992.

12 Nga kjo betejë e përgjakshme në Zhur kanë shpëtuar   3 oficerë  dhe disa ushtarë serb,të cilët u  strehuan në shtëpinë Hysen Aga Hoxhës,njëri nga njerëzit lojal të pushtuesve serb..

13 Kujtime nga Mustafë Mamusha, 78 vjeç, Kukës 18.12.1968./ Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri...,fq.275.)

14Skifter

15 Sipas dëshmive të plakut Ibish Avdia nga Zhuri,për kthimin e banorëve të Zhurit dhe fshatrave tjerë,ndërmjetësuan agallarët,që bashkpunonin asokohe me pushtetin ushtarak serb,si:Hysen Aga nga Zhuri,Durmish Aga nga Vërmica,Bislim Kadria,Sherif Aga Bajrami nga Gjinovci,Haxhi Selimi dhe Jahja Aga nga  Prizreni etj.Këta agallarë në qendër të Zhurit,banorëve të kthyer ju deklaruan se” ju ka fal krali i Serbisë”!!.

Të nesërmen e asaj ditë(herët në mëngjesë)pasi e kishte falur namazin e sabahit  ,në të dalë nga Xhamia,xhandarmëria serbe e arreston atdhetarin Asllan Rexhë Ademajn,i cili s´do të kthehet kurrë më në shtëpinë e tij(humbet pa shej pa dok).

Kthehu ne fillim

 

 

powered by Beepworld