Në vend të përkujtimit për prof.dr.Ahmet Berishën

 

SHOKU IM,

MË NDJE QË PO TË TRAZOJ...

Shkruan: Tahir Gecaj

 

 

     Rikujtimi për ty, shoku im Ahmet, do të më ndihmojë, sadopak, ta zbus dhembjen për Ty e,  në radhë të parë, të mburrem për qëndrimin tënd të pathyeshëm e dinjitoz kundruall të gjitha atyre situatave që na i krijoi koha në të cilën jetuam.

Prof. dr. Ahmet Berisha

 

Ngushëllime për Ahmetin!

 

     Që nga dita kur e përfundove periudhën tënde jetësore, shoku im, me dashje, por edhe pa të, po më rikthehen kujtimet nga e kaluara jonë, të largëta e të afërta, të këndshme a të hidhura, kujtime ato të një kohe të shkuar në pakthim, për t`u ndalur te takimi dhe biseda jonë e  mbramë, në fundkorrikun e shkuar, kur Ti, edhe pse e kishe të qartë së sëmundja që të kishte goditur, s`kishte të ndalë, në të ndarë, më the: “Nëse nuk e ke lexuar librin me kujtimet e F. Hoxhës,  merre këtë timin, që ma solli vajza ime, Afërdita”!

     E mora librin që ma ofrove dhe, pasi të falënderova, të prozova ta komentonim së bashku, së largut, pas një jave! Më shikove në sy dhe pata përshtypjen se buzëqeshe paksa, por, nuk më the shtruar se koha nuk pret, se nuk do të ketë komentime si herë të tjera!  Eh, Ahmet Berisha: ishte hera e parë që nuk më the qartazi se çfarë mendoje! Për fat të keq, ashtu ndodhi! Këmbimi i mendimeve mes nesh kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë! U takuam sërish pas një jave, por ishte kohë e ligë...! U ndamë pas pak minutash për të mos u parë më.

     Pas katër ditësh, Ti e përfundove udhëtimin tënd jetësor, ndërkaq, ne të dy, shpeshherë, kishim folur për  “Tre shokët” e Remarkut dhe, ndodhi që, pikërisht Naku, shoku ynë i tretë ma dha lajmin me telefon:

     “Ngushëllime për Ahmetin!” - më tha - pastaj heshti. E ngushëllova edhe unë Nakun dhe mbeta i shtangur për ca kohë me telefon në dorë. Një jetë e tërë më përftoi para sysh: aq shumë ëndërrime, aq shumë ndodhi, aq shumë përjetime!

     Tash kur po afrohet njëvjetori që kur Ti nuk je në mesin tonë,  po përpiqem  të zbres atyre viteve të shkuara, të largëta e të ashpra, atyre viteve dhe asaj periudhe të shkuar, të cilën, poeti, por, edhe shoku ynë, Ali Podrimja, decenie më herët, me simbolikën e vargjeve e pati cilësuar si “Një jetë në nofulla ujku / Një jetë në zindan”.

     Unë, tashti, shoku im, po tentoj të rikujtoj të kaluarën që e dogjëm bashkë, duke mos e tretur mendsh rrjedhën e kohës - të zgjidhur nga Herakliti, që nga shekulli i pestë para Krishtit, me atë mendimin famoz: “Nuk hyhet në të njëjtën rrjedhë lumi për të dytën herë”, ngase rrjedha e tij sjell gjithnjë ujë të ri, por po shpresoj se rikujtimi i asaj kohe dhe i gjithë atyre ngjarjeve që e përcollën, do të më ndihmojë, sadopak, ta zbus dhembjen për Ty e, në radhë të parë, të mburrem për qëndrimin tënd të pathyeshëm në të gjitha ato situata, ndaj të gjitha atyre të papriturave, që na i krijoi koha në të cilën jetuam - ndaj mburrem që ta pata shok aq dinjitoz e të pathyeshëm, qoftë në kalitjen e personalitetit tënd, qoftë në kontributin që e dhe në arsimimin e gjeneratave të  reja të të gjitha niveleve.

     Rezultatet e punës dhe të veprimtarisë sate janë të dukshme, të qarta dhe të pastra si loti, me mbi dyzet vjet pune aktive prej ligjëruesi e shkencëtari në Universitetin e Prishtinës, në dy katedra: të Biologjisë dhe të Mjekësisë. Këto veçori kishte edhe puna Jote prej ligjëruesi e pedagogu në Universitetin e Tetovës; puna e hershme prej themeluesi e profesori në gjimnazin “Vëllazërit Frashëri” të Deçanit, e në vazhdën e gjithë asaj pune krijuese - gjeneratat e biologëve e mjekëve të diplomuar dhe puna shkencore prej shkencëtari të mirëfilltë. Në këtë të kaluar bie edhe ecja jote mbi “tehun e shpatës” si nxënës, student, e pedagog, e në veçanti në këtë rrugë shquhet qëndrimi yt burrëror gjatë periudhës së linçit që e ushtroi okupatori serb ndaj inteligjencies, rinisë dhe kuadrove të Universitetit të Kosovës, që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta e deri në çlirimin e Kosovës. Nëpër këto ankthe kaloi edhe periudha e studimeve tua dhe e përgatitjes së doktoraturës në Universitetin e Moskës...

     Dhe, tashti kujtimet më shpien drejt një kohe të largët për t`u ndalur te viti shkollor 1947- 1948, kur ne u takuam për të parën herë në oborrin e shkollës së improvizuar të quajtur “Shkolla e Gajës”, në të cilën duhej të mësonin fëmijët e tri fshatrave: të fshatit tënd të lindjes - Pozharit, të Lumbardhit dhe të Llukës së Poshtme. Pra, aty u takuam dhe u pamë për herë të parë, por, siç e kemi kujtuar shpeshherë, unë i pata mësuar shkronjat e para shqipe në një tjetër shkollë, në kasollen-shkollë, buzë Kodrës së Lumbardhit, nga mësuesi im i parë i quajtur Zef Lumezi, kujtimi për të cilin më përcolli gjatë gjithë jetës.

 

Çetnikët serbo-malazezë - me uniforma partizanësh

 

     Në atë kohë ne ishim fëmijë dhe nuk kishim njohuri për prapaskenat e politikës serbe për ta rikthyer Kosovën në Serbi me një status të qarkut autonom, nuk kishim njohuri as për Rezolutën e Informbyrosë dhe për ndjekjen, por, as për burgosjen e mësuesve të ardhur nga Shqipëria, të cilët kishin filluar t`ua mësonin alfabetin fëmijëve, por edhe të rriturve shqiptarë të Kosovës përmes kurseve kundër analfabetizmit, që organizoheshin e mbaheshin pas darkave nëpër odat e fshatrave të Kosovës. Pra, ai vit në të cilin ne u takuam dhe u njohëm, ngeli i paharruar për gjeneratat e atëhershme si vit i urisë kolektive të popullit shqiptar, si pasojë e së cilës vdesin disa qindra njerëz në Kosovë, ngase pushteti komunist serbo’malazezo’shqiptar, që nga 1945-a e pas, krahas shumë veprimeve të tjera, kishte filluar aksionin e dhunshëm të grumbullimit të të lashtave. Në vit më pas, më 1948, “ra perdja e hekurt” mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë.

     Shoku im, s`do të doja të ta prish qetësinë e përjetësisë sate, por ngarendja pas kujtimeve të fëmijërisë sonë, po më ballafaqon me shumë ngjarje e përjetime të një periudhe, të paanalizuar në masë të duhur sot e gjithë ditën, po më ballafaqon me kujtimet e një fëmijërie të dergjur në kohën e aksioneve dhe të veprimeve antishqiptare, që i ushtruan çetnikët serbë të konvertuar në komunistë; po më ballafaqon me vuajtjet që i përjetoi popullsia e pambrojtur shqiptare, me ekzekutimet pa gjyqe dhe me masakrimet e familjeve të tëra me metodat më barbare, siç ishte mbytja e njerëzve me goditje çekani në kokë nën tingujt e daulleve, hedhja e njerëzve të gjallë në puset e thella, por edhe me forma të tjera mizore. Pra, unë nuk do t`u shmangem kujtimeve të përjetuara te asaj periudhe kohore, të cilën disa e quanjnë çlirim, kurse një numër të tjerësh e konsiderojnë si okupim, varësisht nga pozicionimet e tyre në rrethanat e tashme, apo edhe nga pozicionimet e të të parëve të tyre në atë kohë, por do t`i lë anash vlerësmet politike, ashtu sikundër bëmë gjithnjë gjatë bisedave tona, kur e trajtonim atë periudhë, përt ta veçuar një konstatim tonin, që nuk e ndryshuam kurrë, pavarësisht nga rrethanat në të cilat u gjendëm: se në ato vite, pra, pas vitit 1945, ndodhi që, për herë të parë në historinë tonë kombëtare, fëmijët e të gjitha shtresave shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, filluan të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë shqip, pavarësisht nga fakti se fillimi i shkollës shqipe daton shumë më herët, por, edhe duke mos e mohuar se arsimimi i fëmijëve të një shtrese shoqërore kishte filluar gjatë periudhës së okupimit nga Italia. Pra, pavarësisht nga fakti se në Kosovë nuk ekziston një vlerësim unik se a pati ndodhur çlirimi apo okupimi i Kosovës në vitin 1945, unë do ta përmend të dhënën se edhe në historiografinë gjermane, fillimi i arsimimit të fëmijëve shqiptarë në gjuhën  amtare dhe heqja e ferexhesë së femrave shqiptare, veprime këto që i bënë komunistët shqiptarë pas 1945-ës, çmohet si njëra prej sukseseve dhe të arriturave ndër më të mëdhatë të kombit tonë, arritje e cila nga historianët e zënë ngoje krahasohet me atë çfarë kishte bërë Ataturku rreth tri decenie më herët në Turqi, me krijimin e shtetit të parë modern turk, sipas parimeve evropiane.

     Shoku im, konstatimi ynë apo bindja jonë individuale, as nuk i zvogëlon e as nuk i zhvleftëson problemet, vështirësitë dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, qoftë nga sistemi komunist, qoftë nga çetnikët serbë të konvertuar aty për aty në komunistë, por në raport me konstatimet tona, jo rrallë herë e shtruam pyetjen se çfarë do të ndodhte me shqiptarët si komb, nëse për të dytën herë në histori do të pozicionoheshin në anën e humbësit të madh, në anën e fashizmit (?!), ndërkaq, siç mund të dëshmohet, gjatë asaj kohe nuk ishin të paktë “Du`m fashistët”, ashtu siç kishin qenë në një periudhë tjetër “Du`m babistët” ( [1] ), si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

 

Dhuna në funksion të  politikës serbomadhe

 

     Shoku im, më ndje që po të trazoj në qetësinë e përjetshmërisë sate, por ne të dy, shpeshherë konstatuam se udhëheqja serbe e cilësdo periudhë, që nga shekulli i 18’të e këndej, ishte dhe ngeli në binarët e teologjisë kishtare serbe, të reinkarnuar në politikë teologjike, qoftë në raport me ndërdijen e ngulitur serbe mbi shqiptarët si „ardhacakë“, qoftë lidhur me tokën e Kosovës, të kuptuar prej tyre si  “Djep i popullit qiellor serb ( [2] ), një populli që shtiret si “qiellor“, por që bëri  krime të vazhdueshme  ndaj shqiptarëve në tokën e Kosovës e më tej, që nga viti 1876 e deri më 1999 dhe tentoi ta mbajë të okupuar Kosovën dhe nëntokën e saj të pasur.

     Shoku im, të kësaj natyre qenë edhe komentimet tona përkitazi me përpjekjet e vazhdueshme të udhëheqjes serbe për përzënien e shqiptarëve nga Kosova, pa e lënë anash as një pamflet zyrtar serb, të quajtur: “Kosovo and Metohia. Fakts”, të cilin, në vitin 1998, qeveria e Serbisë, në formë note, ua pat dërguar Kombeve të Bashkuara, me pretendim të falsifikimit të numrit të përgjithshëm të shqiptarëve të Kosovës. Përmes atij pamfleti, udhëheqja serbe përpiqej t`i bindte Kombet e Bashkuara se gjoja kishte “rizbuluar” se në Kosovë nuk paskësh më shumë se 917.000  shqiptarë, ndërkaq shefi i tyre, Milosheviç, në dhjetor të vitit 1998, deklaronte se në Kosovë nuk kishte hiç më shumë se 800.000 ose rreth 900.000 shqiptarë, pra, sipas tij, mbi një milion shqiptarë më pak sesa ekzistonin në Kosovë. Dhe, përgjysmimi i shqiptarëve të Kosovës paraqiste planifikimin e qeverisë serbe për përzënien e mëvonshme të më tepër së gjysmës së shqiptarëve nga Kosova.

 

Dimri i acartë i vitit 1955/56

 

     Shoku im, në periudhën kur ne po e përfundonim shkollën tetëvjeçare apo gjimnazin, siç quhej atëherë, në vitin shkollor 1955/56, pra, në kohën kur mosha jonë po shkëputej nga periudha e fëmijërisë, kur ne i patëm fituar njohuritë e para për botën në të cilën jetonim, e natyrisht edhe për sistemin politik, në emër të të cilit bandat serbe ndërmerrnin veprime çnjerëzore ndaj popullsisë shqiptare, pra, pikërisht në acarin e atij dimri, na ra ta përjetonim edhe individualisht dhunën dhe terrorin e aksionit të pushtetit serb për grumbullimin e armëve nga popullsia shqiptare. Ne të dy, jo rrallë, i zumë ngoje skenat rrëqethëse të ngela në kujtesën tonë, skenat e shqiptarëve të lidhur për trupat e pemëve para stacionit të policisë së Deçanit gjatë ditëve e netëve të acarta të atij dimri. Me qindra shqiptarë vdiqën nga torturat dhe nga plagët e marra. Numri i të likuiduarve gjatë asaj fushate antishqiptare nuk është bërë publik dhe nuk dihet saktësisht as sot e gjithë ditën, ndonëse pas vitit 1966’të, u konstatua se UDB’a gjatë atij aksioni i kishte torturuar mmbi 30 mijë shqiptarë,  prej të cilëve thujhej si mbi 100 persona kishin vdekur gjatë torturave ose më pas nga pasojat e tyre.

 

Fotoja e klasës së shtatë, viti shkollor 1954-55

 

     Nxënësit e klasës së VII-të në Tetëvjeçaren e Irizniqit gjatë vitit shkollor 1954/55, nxënës të së cilës ishim edhe në të dy: Ahmet Berisha, nga ana e majtë, i katërti në rreshtin e sipërm, kurse autori i këtij shkrimi, i pari nga e majta, në rreshtin e parë. Me keqardhje më duhet të konstatoj se tashmë nuk më kujtohen emrat e secilit prej shokëve të klasës, nga se nuk i kam takuar që nga ajo kohë, prandaj kërkoj ndjesë për këtë lëshim, pra le t`më lejohet t`i shënoj emrat e atyre që më kujtohen. Reshti i sipërm, nga e majta: Miftar Çekaj, Enver Dula, Ali Përgjegjaj, Ahmet Berisha, Ramadan Përgjegjaj, Sylë Salihu, Jusuf Selmanaj, Idriz (...), Halit Haxhosaj; Rreshti i dytë nga e majta: Arif H. Neziraj, Muharrem Dervishaj, Xhyle Shabanaj, Perihane dhe Munib Canhasi, mësues, Zelfije Mustafa (e vdekur), Mustafë Hyseni (i ivdekur), Ali Përgjegjaj, Hasan Sadikaj, rreshti i parë nga e majta: Tahir Gecaj, (...), (...) dhe Jusuf S. Gecaj (i vdekur)

     Gjatë bisedave tona, e zumë ngoje se ato rrethana i  përjetuam edhe në familjet tona, por edhe e rikujtuam një udhëtim të përbashkët, duke u grahur dy qeve të zgjedhës, të cilët e tërhiqnin një qerre të drunjtë të ngarkuar me rreth 20 duaj tallë ( [3] ).

     Qemë takuar tek Ura e kanalit mes dy fshatrave tona dhe  nisëm t`u grahnim  qeve: „Hajt,  kuço, hajt, murro…!“ Në fshatin Ll.,  e gjetëm shtëpinë e personit që e kërkuam, por ai nuk na tha: “Ejani brenda” apo diç tjetër, por thuajse na urdhëroi: „Ju rrini këtu e më pritni se unë po shkoj e po e çoj tallën“. Dhe, nuk vonoi shumë, e  u kthye me të njëjtit duaj të tallës në qerre. Pasi na shikoi me kujdes të dyve, më thirri anash  dhe më tha: „Mallin e ke në dukin në mjedis“, e mora prej atij „kojshisë“ kolonist, qysh âsht marrë vesh yt atë“?! Grahuni kijeve se po iu nxen nata“, na tha pa u përshëndetur fare. Ne u kthyem, ndonëse nuk e biseduam fare punën e „mallit“ që e bartnim. Që të dy e dinim se në njërin prej duajve të tallës, tashme ishte një pushkë e gjatë, të cilën im atë duhej ta dorëzonte të nesërmen në stacionin e policisë në Deçan, siç e kishin urdhëruar, por, atë natë pat rënë ajo bora e madhe, rreth dy metrash, për të cilën është folur shumë herë. Rrugët ishin të pakalueshme, prandaj im atë e pati dorëzuar pushkën e blerë pas tre-katër ditësh.

 

Pas pauzës - shkollimi në gjuhën serbokroate

 

     Shoku im, në pranverën e atij viti 1956, ne e përfunduam  gjimnazin (semimaturën) dhe në ditën e përfundimit të mësimit, kujdestari ynë i klasës, Mehemet Zeneli, mësuesi i lëndës së matematikës, na i ndau dhuratat në emër të Drejtorisë së shkollës. Ty të shpërblyen për sukses të shkëlqyeshëm me veprën e parë poetike të Martin Camajt „Një fyell ndër male“, kurse mua ma dhanë veprën „Princi dhe i varfëri“, të Mark Tuenit, në gjuhën serbokroate, libër i cili, përkundër gjithë atyre mynxyrave që kanë ndodhur që nga ajo kohë, ë ruaj edhe sot e githë ditën, së bashku me një fotografi të fundvitit të klasës së shtatë, nxënës të së cilës ishim edhe ne të dy. Gjatë vitit shkollor 1955/56  u bë reduktimi i shkollave të mesme në gjuhën shqipe. Me mbylljen e Shkollës normale në Gjakovë qenë shuar shpresat tona për t`i vijuar mësimet në ndonjërën prej shkollave të mesme. Verën e vitit 1956 Ti e kalove  në Bjeshkë të Belegut, kurse unë në atë të Lumbardhit. Aso kohe, kur dominonin familjet patriarkale, lypsej punë nga secili anëtar i familjes, të vjetër e të rinj, secili e kryente punën që mundej apo punën që ia caktonte i zoti i shtëpisë. Mua, më caktuan ta ruaja tufën e deleve, kurse, më sa di unë, edhe Ty të angazhuan të kujdesesh rreth bagëtisë. Erdhi vjeshta e atij viti dhe bashkë më të edhe zhgënjimi ynë. Nuk mundëm të regjistroheshim as në Gjakovë e as në Gjimnazin real të Pejës.

     Aso vjeshte u takuam bukur rrallë, por bëmë plan për ta gjetur zgjidhjen. Një shoku ynë i klasës, Ramadani, iku në Shqipëri për ta vazhduar shkollimin. Pse mos të iknim edhe ne, e pyesnim njëri-tjetrin?! Për të kaluar kufirin nuk do të kishim vështirësi. Bjeshka ku ti qëndroje gjatë verave kufizohej me Shqipërinë dhe, ti e njihje atë terren si shtëpinë tënde. Ato ditë na erdhi një shok tjetër nga rajoni ynë dhe na thirri të shkojmë me te, pra ta kalojmë kufirin. Ne nuk pranuam. Donim ta shoshitnim edhe pak atë problem. Familjet tona ishin të cilësuara si reaksionare. Familja ime ishte e përjashtuar nga Lidhja Socialiste, prandaj, pasi e analizuam gjendjen në të cilën ndodheshim, vendosëm të mos iknim, sepse i druanim burgosjes së prindërve tanë!

     Shoku im, ne vepruam ashtu, por, akoma nuk jam i bindur se patëm vepruar drejt apo patëm gabuar?! Sidoqoftë ajo periudhë s`ka kthim: jeta kaq e ka - s’ka korrigjim!

 

Ti, shoku im, Ahmet Berisha, paç amshim të lehtë!

 

Korrik, 2011

[1] Duam babën mbret apo „dum babën“ thirrje e  dumabistëve në kuadër të lëvizjes së Haxhi Qamilit

[2]  Holm Sundhausen: Der Kosovo Konflikt– Kosovo eine Konfliktgeschichte“ (65–86) , Weiser Verlag, Klagenfurt 2000. Faqe 69

[3] Talla përdorej e ushqimir të bagëtive të trasha

.

 

Poezia e Bahriut është shpërthim i shpirtit kryengritës
 
VARGJET E DHEMBJES KRENARE PËR
ATDHEUN DHE LIRINË
 
Shkruan: Rexhep F. Morina - Prizren, 30. 05. 2009
____________________________________________________
 
 
Poezitë e Bahri Fazliut të cilat janë përmbledhur në librin: “Dhembja mund dhembjen", janë një trashëgimi shpirtërore e botës poetike të autorit, janë një trashëgimi me vlerë e letërsisë sonë, janë gurë të çmuar në gjerdanin e letërsisë shqiptare. Poezia e Bahriut nuk është poezi e interesit pragmatik, nuk është poezi që vjen si frymëzim nga jeta mondane e bohemizmit aventuresk, nuk është as poezi me një shterpësi ideore, poezi formaliste e imitimit të kalemxhinjve surrealist e kozmopolit, që në shtypin e kohës paraqiten vetëm si klithje pa ndjenjë, pa koherencë mendimi, jo kuptimore, poezi pa konstrukt në formë dhe përmbajtje.
 
Poezia e Bahriut është poezi e shqetësimit, poezi e dhembjes krenare dhe dashurisë për atdheun dhe lirinë. Poezia e tij është shpërthim i shpirtit kryengritës, i luftëtarit të lirisë, shpërthim i ndjenjave realiste, shpërthim i revoltës së arsyeshme, njëherit janë bindja e tij, janë misioni i tij çlirimtar për ti zgjuar të përgjumurit nga letargjia pacifiste, nga errësira politike e viteve kur jetoi e veproi poeti. Bahriun e njohim edhe si publicist, i cili me artikujt e tij analitik i çjerrë maskën politikës pacifiste, politikës pushtuese si dhe demaskon demagogjinë politike të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët fshehin interesat e tyre gjeostrategjike, përmes falsitetit deklarativ.
 
Bahriun e njohim edhe si udhëheqës politik, si njeri i vizionit të qartë, i mendimit të thellë, si njeri i punës së palodhshme, i luftës dhe kryengritjes, i sakrificës dhe vetëmohimit. Poezia e Bahriut nuk është thjeshtë një krijim artistik, epiko-lirik apo social, ajo është vërtet një vepër e përkryer arti, një vepër madhështore, që ka në brendinë e saj njeriun, zjarrin, vullkanin, shtrëngatën, ka një botë të tërë, pra ka një gërshetim të metaforës dhe reales, të cilat në kontinuitet shprehin me eufoninë e fjalës, ndjenjën, mendimin dhe porosinë.
 
Të gjitha poezitë i përshkon një frymëzim i lartë i patetizmit, një frymëzim i patosit shpirtëror, të dhembjes për njeriun, për familjen, për të dashurit, i mendimit të kthjellët për jetën në robëri, i ecejakeve dhe sfidave me të cilat përballet edhe vetë ai. Mesazhi i tij poetik e forcon poezinë, i jep fuqi asaj, duke i shtuar muzikalitetin poetik, dhe te lexuesi vjen si një freski e lehtë verore, si një këngë e bukur, si një këngë magjike. Ajo është edhe këngë e dhembjes krenare, këngë e shpirtit kryengritës, këngë e mprehjes së moralit të topitur, këngë e kushtrimit të luftës për liri.
 
Në poezinë “Të gjallëve”, Bahriu vërtet ua tregon rrugën atyre duke shkruar; ”mos kërkoni nëpër libra, mos thërrisni këngëtarin, mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit, mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,” ”Nëse...Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët ecni në rrugën e tyre.”
 
Me këtë poezi, autori synon orientimin e mbarë të njerëzve, për të ecur në rrugën që kishin ndjekur dëshmorët kundër pushtuesve tanë, në rrugën kundër robërisë shumëvjeçare, në rrugën e luftës për çlirim. Në shërbim të kësaj ideje është edhe poezia, ”Para Dëshmorit”.
 
 Poezia “E vranët ishte ajo ditë” fillon me vargjet;
“E vranët ishte ajo ditë,si sot,pa shi
 Veçse s’ishte gusht, por nëntor
 Me përtesë ecte kortezhi drejt varrit
Dhembje e madhe zihej në kraharor.”
 Bahriu paraqet në mënyrë poetike gjendjen e rëndë shpirtërore jo vetëm të tijën, ngase kishte humbur vëllain udhërrëfyes, por edhe gjendjen e të tjerëve, që është një përjetim zymtësie, një dhembje e rëndë sa një mal. Ishte fatkeqësi e madhe për kohën, për ilegalitetin, për çështjen e përgjithshme, të humbësh në vazhdën e rrugës së nisur një bashkëluftëtar, një kuadër të përgatitur, një shokë të sprovave të shumta. Kjo u ndodhi shumë organizimeve ilegale të kauzës sonë kombëtare. Poezia përfundon me vargjet:
“E dija se për mua po niste një jetë e re,
me brenga e shqetësime për ty atdhe.”
 
Tani për Bahriun filloi vërtet një jetë tjetër, nga jeta e përditshme e zakonshme, nga ajo e rehatisë dhe komoditetit, filloi një jetë e jashtëzakonshme, jeta e rëndë e ilegalit, e organizimeve dhe aksioneve, jeta e përgatitjes së një populli për luftë të armatosur. Ilegaleve shpesh u ndodhte ti befasonin të afërmit. Në poezinë ”Nënës”ai shprehet: “kur ti më pe, më the; Si, ende këtu je!”
 
 Në poezinë, “Për të jashtëzakonshmen”, Bahriu dëshiron ta heq vellon mistifikuese në psikologjinë e njerëzve, të ndikuar nga politika e pritjes dhe durimit, nga politika e frikës dhe e nënshtrimit e cila terrorin pushtues serb mundohej ta kalonte si diçka pa rëndësi, si diçka krejt e zakonshme. Vargjet e poezisë janë:
“Nuk dua të duket sikur rrjedh lumi
kur një polic vret një student
dua që kjo të jetë aq e jashtëzakonshme
sikur të thuhet se në hënë jetojnë njerëz.
 
 Kurse në poezinë, ”Revoles”, Bahriu shfaq një qëndrim dualist,sa e do aq edhe e urren revolen.
“Eh revole,revole
mikja dhe armikja ime
të urrej shumë
sepse dua njerëzimin
paqen,
dashurinë,
lirinë.
Revole të urrej aq sa edhe të dua
Revole do të të vras
Me dorën tënde
Për urrejtjen
Për dashurinë.”
 
Vargjet e kësaj poezie nuk shfaqin vetëm urrejtjen dhe dashurinë e autorit për revolen si armë zjarri, por kjo tregon, se ai është në intensitetin e punës e të veprimtarisë ilegale, përderisa bartë revole, del në aksion i armatosur, shkon në çdo udhëtim e në çdo takim me njerëz i armatosur. Kjo tregon se Bahriu ishte i armatosur edhe me bindjen e plot, se shpresa jonë e vetme për fitore është vetëm te gryka e pushkës.Në fazën organizative që ndodhej Lëvizja Kombëtare për Çlirim, kishte pa dyshim edhe raste, kur ndonjë shok dekonspirohet dhe burgoset nga organet e pushtuesit. Në poezinë, “Bisedë pa fund” Bahriu paraqet dy gjendje të shokëve, të mbyllur të dy, por në ambiente të ndryshme, që i përshkruan:
“Biseduam shtruar, shok,dikur
se si do ta luftonim armikun bashkë
sot ti në burg,
unë i mbyllur në liri.
Me “Çlirimin”zgjoj forcën.”
 
Dhe vërtet ai me Çlirimin zgjoi forcën e popullit. Këtë e shprehë më së miri në poezinë,
“Në aksion”:
“Nesër populli do të zgjohet me të në dorë,
ky zgjim do të jetë i gjatë,
gjumë s’do të ketë më për këtë popull,
për këtë popull s’do të ketë më natë.”
 
Gjithashtu në këtë poezi shkruan:
“Çlirimi nuk e ka vulën e Graçanicës,
ai ka vulën e bodrumeve të Prishtinës”
 
Duke qartësuar popullin, se kjo gazetë nuk është dorë e zgjatur e UDB-së, por gazetë e dalë nga zemra e popullit, gazetë e rinisë ilegale shqiptare.
 Në të njëjtën poezi, Bahriu thekson:
“Ti e di fort mirë popull historinë e Çlirimit.
Këtë histori nga ti e mësuam.
Ti na flisje gjithnjë për “Zërin e Popullit”.
Për Lirinë, për Zërin e Kosovës,
Na flisje për çlirimat e kohës.”
 
Me këto vargje, Bahriu nxjerr në mënyrë të dukshme vazhdimësinë e gazetave autentike ilegale, që vërtet për kohën, patën jehonë dhe ndikuan pozitivisht në edukimin e gjeneratave të reja, duke trasuar rrugën e mirëfilltë çlirimtare, rrugë të cilën tani po e ndriçonte edhe vetë Çlirimi.
 
Për veprimtarët e çështjes kombëtare, të cilët i kundërviheshin pushtuesit me qëndresë luftarake dhe heroizëm, këto akte Bahriu mundohet t’i gdhendë me tërë fuqinë dhe mjeshtrinë e tij artistike. Vargjet janë si një burim i rrëmbyeshëm dhe i pashtershëm në poezinë, “Elegji për Hasan Ramadanin” në të cilën thuhet:
“A bënë të përgjumurit ta varrosin të vdekurin
a qëndron vaji më lartë se kënga
a bënë mbi dhe të qëndron vaji
a bënë në dhe të varroset kënga.”
 
“Ti që s’deshe turp në jetë
ti nuk do as të turpëruarit te varri
ti që s’deshe vdekje në jetë
ti edhe tani je më i gjallë se i gjalli”
 
E tërë poezia përshkohet me një lirizëm emocional dhe revoltues, sepse realiteti në të cilin jetonte poeti, ishte i pleksur me hipokrizinë politike të kohës, të partive legale, që në njërën anë i fyenin dhe injoronin luftëtarët e lirisë, kurse në anën tjetër, mundoheshin të përfitonin politikisht, për t’i ruajtur pozicionet e tyre pacifiste. Qëndresa dhe rezistenca individuale ishin krismat e para të luftës, ishin zë i fuqishëm kushtrimi për luftë çlirimtare.
 
Jeta e Bahriut është shumë e vrullshme, ai me tërë forcën e tij fizike dhe shpirtërore, vepron për çështjen e përgjithshme. Atë e shohim duke lëvizur sa nga njëri qytet tek tjetri. Sa nga njëri skaj i atdheut te skaji tjetër i tij. Këto lëvizje bënë që Bahriu të ndeshet hapur me dy botë të kundërta në mes njerëzve, ata që shfaqin habi dhe tronditen kur shohin një ilegal, dhe ata që e presin me dashamirësi dhe i hapin portat e zemrës e të shtëpisë për të. Gjatë këtyre lëvizjeve ai takohet rastësisht me të njohur, me ish veprimtarë të burgosur dhe me ndonjë shok që kishte braktisur rrugën e luftës.
 
Në poezinë, “Si je” thotë:
“Këtu je, si je dy fjalë janë,
por janë me peshë, janë dy epoka,
e para pranon shijen e bukës së hidhur,
e dyta ka ndjenjën se duhet ndërruar bota.”
 
Edhe në poezinë,“Takim rasti” përshkruan figurën e një veprimtari të shquar, që kishte mbjellur frymën e shëndoshë atdhetare në brezin e ri, me të cilin simbolizohej një epokë. Pas burgut nuk ishte ai i djeshmi, sepse e sotmja e tij ishte në kontradiktë të thellë me të kaluarën e tij. Bahriu kështu e paraqet në vargje:
“Dikur ai ishte bota
ishte kulmi, ideali,
ishte punëtori i maskuar,
ishte jehona e një mali”
 
“i thashë ke vrarë vetveten,
ke vrarë emrin njeri,
je antipod i së djeshmes,
për fajin s’ke alibi.
 
“Një shokë që humbi identitetin”, është poezia në të cilën Bahriu trajton në formë të dialogut, çështjen e kalimit në pozicione të kundërta të shokëve. Kjo poezi është brenga dhe shqetësimi për shokun e larguar nga organizimi, i cili me këtë veprim, nuk dëmtoi të tjerët, por humbi identitetin e tij. Bahriu me këtë vë në dukje, se sa i hidhur është veprimi i ikjes nga lufta, duke bërë krahasime me ngjarje edhe më të rënda që kanë ndodhur për fat të keq gjatë historisë sonë të luftërave për çlirim kombëtar.Poezia tjetër, “Hija e tij e ndiqte pas” është poezi që ngërthen në vete frikën e pa arsyeshme, frikën e disa veprimtarëve politik nga UDB-ashët, sa që kjo frikë i detyron të mohojnë të kaluarën e tyre. Bahriu këtë e thurë në vargjet:
“S’ishte më ilegal,
s’mbante më me vete allti,
s’thoshte më derri do plumb,
s’thoshte luftë, por demokraci.
 
Çdo gjë tani bënte legalisht,
Për pseudonime s’kishte nevojë,
Kishte edhe një vend në LDK,
Të shkuarën e vetë e quante lojë.”
 
Në librin “Dhembja mund dhembjen” hasim poezi edhe për popuj liridashës, që ngrihen në luftë kundër robërisë së tyre. Me poezinë, “Populli mund perandorinë” vë në spikamë, në mënyrë konkretizuese fuqinë e një populli të vogël por të organizuar, në luftë kundër një perandorie. Dhe në të njëjtën kohë, me këtë poezi, hedhë poshtë teoritë anti-luftë, që mohonin asokohe forcën e popullit tonë.
 
Në poezi Bahriu i këndon Çeçenisë:
“Kur u lëshuan në sulm rusët,
të gjithë thanë e pat Çeçenia,
të gjithë e morën këtë punë të kryer,
s’ish shaka, në sulm ishte perandoria.
 
Dhe kur ushtarët rusë filluan të bien,
Kur Çeçenia nuk doli kafshatë,
Të gjithë thanë ndodhi çudia;
Si mundet superfuqia nga njerëz duarthatë!”
 
Në fazën kur njësitet guerile në Kosovë, me veprime të armatosura çlirimtare, filluan të godasin mekanizmat e pushtetit pushtues, i cili ushtronte plaçkitje, vrasje, represion dhe terror mbi popullin tonë, nga politika ditore asokohe, veprimet e tilla etiketohen në mënyrat më banale, ndërsa për ata që mbanin armët në duar, lansohen akuza dhe shpifje nga më të ulëtat. Qëndrimet poshtëruese, antikombëtare e me tendenca shumëdimensionale të komprometimit, që në fillim të luftës së armatosur, dhe qëndrimet e ulëta pacifiste e nihiliste, Bahriu i çveshë në poezinë “Dhembja mund dhembjen”:
 
“Harruan se dhembja është e madhe,
aq sa edhe malet,
harruan se me dhembje luftojmë
shpresat e gëzuara djaloshare.
 
Harrojnë se vetëmohimi është jetë,
Se përleshja me flakën bëhet për dritën,
E shkelja e interesit për interesin,
E dhënia e jetës për jetën e rritës.
 
Harrojnë se duam natën për dritën
Se duam dhembjen për gëzimin
Se duam luftën për paqen,
Se duam plakun për të riun.”
 
“S’mund të ndahem nga lufta” është një poezi tjetër kontemplative dhe me përmbajtje të thellë sfidimi të reales dhe joreales, të jetës dhe vdekjes, të së mundurës dhe të pamundurës.
“Me gjithë mallin që kam për ty, nënë,
me gjithë dhembjen që ke për mua
me gjithë dëshirën që kam për jetë
me gjithë që një vajzë shumë e dua.
 
S’mund të ndahem nga lufta kurrë
S’mund të pajtohem me paqen-robëri
“pashë më pashë do t’i bie ferrit”
për të shtrenjtën tonë liri.
 
Edhe vdekjen do ta puth, nënë,
Kur lufta këtë do ta kërkojë,
Edhe nga varri do të ngrihem
Luftën kurrë s’do ta pushoj.
 
Poezia në fillim duket se ka një dozë sentimentale, por në fakt është një lirizëm poetik real, sepse ndjenja e dashurisë për jetën, për të dashurën, është ndjenja më e lartë morale dhe njerëzore. Pra të duash dhe dashurosh nuk është një sakrilegj. Me vargjet pasuese kuptojmë gatishmërinë vetëmohuese të poetit, për të bërë edhe të pamundurën, që luftën të mos e pushoj, që të mos pushoj duke sfiduar të keqen- robërinë e atdheut. Vargjet flasin për karakterin e tij kryengritës, shpirtin luftarak, shpirtin e tij vigan, të cilin e dëshmoi jo vetëm përmes krijimtarisë së tij artistike, atë e dëshmoi edhe në veprimtarinë e pandalshme politike dhe luftarake, e dëshmoi edhe me aktin e fundit të rënies heroike.
 
Bahriu përjetësisht mbeti në faqet e historisë sonë një figurë emblematike, e madhërishme dhe poliedrike e letërsisë, publicistikës dhe luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.
 
I madhërishëm ishe dje,
I madhërishëm sot je,
I madhërishëm i gjallë
I madhërishëm nën dhe.
 
Lavdi e përjetshme Bahri Fazliut dhe Agron Rrahmanit, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
 
*   *   *
 
 
 
 

 

powered by Beepworld