Flet Bajram Mustafa, ish i burgosur në burgun e Dubravës
 
SI E PËRJETOVA MASAKRËN
BURGUN E DUBRAVËS
 
 
Intervistoi: Prof. dr. Begzad BALIU
================================================
 
PËRMBAJTJA
 
 Pse biseduam me Bajram Mustafën ?; “...njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg por i vrasim rrugës...”; Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellur një grup të rinjësh nga Gjakova që i kishin mbledhur nga rruga, shtëpia, etj.; « Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim Rroftë Serbia ! Të këndojmë këngën « Ko to kazhe, ko to llazhe Serbia je malla ! » ; Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar një pavion afër pavionit  C; Në pavionin B2 gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej ... të burgosurit thërrasin e kërkojnë ndihmë.; Deri më 21 maj nuk ka pasur bombardime dhe ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut  duke e ndihmuar njëri tjetrin; Nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur dhe janë plagosur prej 50-60 të tjerë; Më 22 maj në mëngjes ... zëvendëskomandanti Aca ka thënë: Dilni bëhuni rresht këtu rreth murit të gjithë dy nga dy sepse do t´ju numërojmë që t´ju transferojmë në burgun e Nishit...; Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parolla të tjera si : Rroftë Kosova ! Rroftë UÇK ! Rroftë Adem Jashari ! etj; Shpëtimi i të burgosurve nga Gjakova !; Shpëtoi duke u fshehur në miell !; Në mesin tonë kam njohur edhe të tjerë…; Transferimi në burg të Lipjanit; Nata me kujë, vaj e  thirje grashë e fëmijësh… ; Çlirimi shpirtëror i gardianit serb; Ukshin Hoti - njeri për të gjitha kohërat !;  Burgu i Nishit...

Të masakruarit në burgun e Dubravës ( 19 - 24 Maj 1999 )

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Krimineli Mirolub Miki Vidiq nga Kapeshnica e Pejës

 
Krimineli Ilia Mishkoviq
 
BURGU QË NDJEK - EMRAT TANË I KEMI SHKRUAR NË
MURE ME GJAKUN TONË!
 
* * *
Pse biseduam me Bajram Mustafën?
 
    Bajram Mustafa ka qenë i burgosur i burgut të Dubravës, i cili deri në fillim të bombardimeve nuk i ka përjetuar pasojat e të burgosurve politik apo të robërve të luftës. Pas fillimit të bombardimeve dhe më vonë ai kishte shëndet të plotë për t’u aktivizuar gjithanshëm brenda burgut dhe për të qenë i pranishëm në një numër të madh ngjarjesh që zhvilloheshin brenda burgut, ngjarje të cilat nuk kanë mundur t’i përjetojnë shumë të burgosur të tjerë.
 
“...njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg por i
vrasim rrugës...”
 
BEGZAD BALIU:Kur jeni burgosur ?
BAJRAM MUSTAFA : Më 29. 1. 1999, më kanë marrë në qendër të qytetit të Prishtinës. Në rrugë për në burgun e Dubravës, te Ura e Klinës më ndalën në afërsi të një turme gurësh dhe më thanë se njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg por i vrasim rrugës bash në këtë vend. Më përgatitën për ekzekutim por pastaj filluan të bëhen sikur po shtyhen a duhet vrarë apo jo për mëse gjysmë ore. Pastaj më dërguan në stacionin e policisë në Klinë. Aty kërkova të shkoj në WC dhe më thanë që të shkoj por të mos tentoj të iki sepse do ta thërrasim popin që të varros pasi hoxha më nuk po varros me urdhërin tonë. Prej aty më dërguan në burgun e Dubravës.
 
BEGZAD BALIU : Si e keni parë ju burgun e Dubravës ?
BAJRAM MUSTAFA : Të mbushur me policë e ushtarë. Aty nuk kishte të burgosur shqiptarë, por vetëm të burgosur serb. Shqiptarët i kishin dërguar në burgjet e Serbisë. Mua më dërguan në çeli. Aty më kanë mbajtur 57 ditë. Ndërkohë i kishin sjellur edhe disa shqiptarë të akuzuar për terrorizëm në Pavionin C 1.
 
BEGZAD BALIU :A mendon se ka pasur të burgosur të tjerë shqiptarë që mbaheshin në çeli?
BAJRAM MUSTAFA : Në ndërtesën e pranimit ku isha unë nuk ka pasur por pas dy-tri ditësh në ndërtesën e pavilonit C 1 janë sjellë rreth 30-40 persona të akuzuar si pjesëmarrës të luftës.
 
BEGZAD BALIU: Pastaj ?
BAJRAM MUSTAFA: Pastaj sollën nga burgjet serbe disa të burgosur shqiptarë, kryesisht nga burgu i Sremit dhe Pozharevcit, që nuk ishin të burgosur politik. Bashkë me ta sollën edhe rreth 15 serbë. Në furrë punonin shqiptarët dhe gatuanin për të burgosur, policë dhe ushtarë, ndërsa kuzhina për serbë ishte e ndarë. Edhe më se 70 të burgosur serbë gjendeshin në burg,  por në tip të hapur dhe ata e ndihmonin policinë e ushtrinë për nevoja ushtarake. Një natë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, hoqën dhjetë serbë të burgosur   ndërsa pesë të fundit i tërhoqën dy ditë pas fillimit të bombardimeve. Gjatë qëndrimit të tyre me ne ata tregonin për pjesëmarrjen e tyre si luftarë në Kroaci, Bosnje por që u burgosën për shkak të krimeve që kishin bërë në Serbi : Sinisha Petriq -  i ashtuquajturi Zenica nga Zenica e Bosnjes, Millosh Gjuriq - i komunës së Istogut(tani Burimit), i cili pas kthimit nga lufta në Kroaci e Bosnje e kishte mbytë babain e vet, njëfarë Aca Paviqeviç - nga Podgorica, Dejan Mlladenoviq - një serb-maxhup nga Krushevci i Serbisë, dhe një Acë tjetër i ashtuquajtur edhe Aca i Vogël nga Istogu, i cili ka qenë edhe zëvendës komandanti, sikur edhe Ilia Mishkoviq nga Nikshiqi i Malit të Zi , Millovan Millosheviq i ashtuquajturi Talle nga lagjja e Ulpianës në Prishtinë, pjesëmarrës i luftës në Bosnje e Kroaci si pjestarë i Gardës së Arkanit, njëfarë Simiqi nga Shpenadija e Prizrenit, Igor Gërgoviq, një ish polic nga Peja, Shqepanoviq nga Mali i Zi, njëraë Mirosllavi nga ana e Gjilanit, njëfarë Todori i ashtuquajturi Tosho. Këta dy të fundit dhe tre të tjerë shokë të tyre kanë qenë të dënuar për dhunim. Hranisllav Kukurekoviç nga Gushterica e Lipjanit dhe Migo Llalleviç nga Mali i Zi, pastaj njëfarë komandir Mitri i rrethit të Pejës etj.
 
Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellur një grup të rinjësh nga Gjakova që i kishin mbledhur nga rruga, shtëpia, etj.
 
BEGZAD BALIU : Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, a kanë sjellur në burgun e Dubravës të burgosur të tjerë apo të kidnapuar nga tereni ?
BAJRAM MUSTAFA : Po. Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellur një grup të rinjësh nga Gjakova që i kishin mbledhur nga rruga, shtëpia, etj. Më vonë kur i kemi pyetur se si i kanë marrë na kanë thënë se shumicën prej tyre i kanë marrë në shtëpi. Madje që më parë ju kanë thënë që të mos dalin se pse nuk janë të rrezikuar dhe policia e ushtria serbe ka ngrënë edhe buken e tyre por për një çast policia serbe ka ndërruar mendimin dhe i ka kindapuar pa asnjë arsyetim. Veç tyre në burg kanë sjellur edhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Serbisë, nga Mitrovica e Sremit e burgjet tjera.
 
BEGZAD BALIU : Sa ka qenë numri i tyre ?
BAJRAM MUSTAFA : Nga rrethi i Gjakovës kanë qenë rreth 150 veta ndërsa nga burgjet serbe i kanë sjellur rreth 400 të burgosur d.m.th. gjithësejt rreth 600-650 veta. Mbrenda kanë qenë edhe mbi 300, andaj me sa di unë atë kohë në burgun e Dubravës kanë qenë rreth 962 veta.
 
BEGZAD BALIU : Si kanë qenë sjelljet e autoriteteve para bombardimeve ?
BAJRAM MUSTAFA : Në pavilonin B2 nuk ka pasur sjellje të këqija. Ndërsa në pavilonin C1 ku kanë qenë të akuzuarit kinse për terrorizëm ata kanë përjetuar tortura të mëdha. Kanë pasur një të katërtën e bukës dhe shumë pak gjellë dhe dajak çdo gjysmë ore.
 
BEGZAD BALIU: Po në prag të luftës ?
BAJRAM MUSTAFA: Ne ishim të gëzuar sepse përcilleshin informatat se do të bombardohet e tërë Serbia.
 
« Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim Rroftë Serbia ! Të këndojmë këngën « Ko to kazhe, ko to llazhe Serbia je malla ! »
 
BEGZAD BALIU :Si i merrnit informatat ?
BAJRAM MUSTAFA: Disa persona që punonin në furrë të bukës, ata kanë pasur tranzistor dhe kanë përcjellur lajmet dhe çdo lajm të mirë na e përcillnin.
 
BEGZAD BALIU: Po ditën e parë të fillimit të bombardimit?
BAJRAM MUSTAFA: Kemi qenë shumë të gëzuar. Paviloni B2 i tëri ka duartrokitur. Kemi hapur langje, kemi vallëzuar dhe meqë vëreheshin raketat që bombardonin Sllatinën, ne të gjithë u hodhëm në dritare për t´i parë ato. Në pavilonin C nuk kanë ditur shumë por së paku e kanë ditur se bombardimi filloi, prandaj edhe ata me gjithë dhunën dhe frikën që kishin përjetuar e shfaqën gëzimin e tyre me duartrokitje. Autoritetet e burgut morën masa më të rrepta ndaj neve të gjithë shqiptarëve : u ndalua shetitja njëorëshe, ushqimi u dobësua shumë. Prej ditës së fillimit të bombardimit rryma ndalej në orën 5 dhe vinte në orën 6 të mëngjesit, buka jepej nga tri herë në dy herë dhe na e jepnin një bukë për njëzetë e katër orë : gjysmën në drekë e gjysmën thatë më vonë. Në pavionin C1 gjendja ishte edhe më e vështirë. Ata kanë pasur rrahje pa ndërprerë dhe gjatë gjithë ditës merrnin vetëm gjysmë buke. Po ua ofroj rrëfimin që ma ka treguar Sadik Zeçiraj, gazetarë i Botës së re, më vonë : « Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim Rroftë Serbia ! Të këndojmë këngën « Ko to kazhe, ko to llazhe Serbia je malla ! » Njëherë kërkon një copë bukë më shumë por i thonë se ti je terrorist dhe ti nuk e meriton as këtë që po ta japim por ti e meriton plumbin në ballë. Bukën e merrnim të gërmusur me duar përpara, në shenjë poshtërimi dhe pa guxuar ta ngrejnë kokën që ta shikojnë ndarësin e bukës apo të gjellës. Ai thoshte se edhe babai im sikur të kishte qenë duke ndarë gjellën unë nuk do të dija kush është. Për C1 ku kishte rreth 200 të burgosur, ka ekzistuar një ligj i veçantë i sjelljes. Me të hapur dera, të burgosurit kanë qenë të detyruar të ngriten në këmbë dhe në vend të mirëmëngjesit duhej thirrur: Zhivella serbia ! dhe këngën « Ko to kazhe… ». çdo mbrëmje mblidheshin gardianët e pavioneve të ndryshme dhe shkonin për t´i rrahur ata në mënyrë të organizuar. Në këto fushata dallohej sidomos gardiani Mitri nga rethi i Istogut, njëfarë gardian Manca, Nikiqi, Lushiqi, Lubisha, Zvonki dhe një gardian i ashtuquajtur Tarzan nën udhëheqjen e mbikqyrësit Bellosheviq, dhe udhëheqësit të ndërrimit Dragan. Të gjithë këta të rrethit të Klinës dhe Istogut. Nga policët përcillej situata me radio gjithë natën.
 
BEGZAD BALIU: Çfarë masa u morën nga ana e drejtorisë së burgut ?
BAJRAM MUSTAFA: Gardianët na thonin se këtu nuk do të gjuan NATO pasi këtu jeni ju të burgosurit dhe ju këtu jeni në duar të sigurta.
 
Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar
një pavion afër pavionit  C
 
BEGZAD BALIU: Pas fillimit të bombardimeve në Kosovë a ka mbetur ndonjë serb në burg me ju ?
BAJRAM MUSTAFA: Me ne kanë mbetur vetëm edhe pesë serbë. Një mëngjes kur ra zilja e zgjimit, Sinisha Petriqi më tha : Tani koka e juaj dhe e gjithë shqiptarëve vlenë vetëm 50 para. I thashë : Do ta shohim në fund se çka do të bëhet, a do të vlejë koka ime 50 para apo e jotja. Jo më tha ai : Ne së shpejti do të vinë, të na marrin dhe veshin e armatosur për mbrojtje. Ata kishin përvojë në luftimet e mëherëshme në Kroaci e Bosnje dhe u duheshin për luftë. Të nesërmen e fillimit të bombardimit në mbrëmje pas mbarimit të darkës dhe kthimit nga kuzhina hymë në dhomë dhe nuk vonoi as pesë minuta erdhën gardianët dhe u thanë serbëve që t’i marrin teshat dhe të dalin e t’i dërgojnë në tip të lirë të burgut. I kanë veshur dhe ua kanë dhënë armët. Ka qenë data 19 maj 1999. Ishte mesditë. Ndërmjet orës 11-12. Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar një pavion afër pavionit  C. Aty nuk ka pasë njerëz, ka qenë i thatë. Pas dy raketave që i kanë hedhur në atë pavion aeroplanët janë larguar dhe prap janë kthyer edhe tri raketa në Pavionin C. Aty ka pasë rreth 200 të burgosur. Ne e pamë që u sulmua dhe në atë moment gardianët kanë ikur. Njerëzit kanë qenë nëpër qelia. Rryma është ndalur dhe dyert janë bllokuar. Dera kryesore qelet vetëm me rymë. Atë moment aty kanë qenë vetëm dy gardian dhe mbikqyrësi. Ata ikën ndërsa aty shkonte flaka deri në qiell dhe njerëzit thirrnin në ndihmë.
 
BEGZAD BALIU: Çka bëtë ju në ato çaste të vështira ?
BAJRAM MUSTAFA: Ne që ishim në Pavionin B2, ishim të mbyllur gjithashtu, por për fatë të mirë afër pavionit tonë gjendej menza ku përgatitej buka dhe ku punonin shumë shqiptarë dhe kur gardianët tanë gjithashtu ikin si edhe gardianët tjerë, ata takohen në rrugë dhe ua marrin qelsat e pavionit tonë.
 
BEGZAD BALIU: Kush kanë qenë ata që në atë moment rreziku nga ajri dhe snajperistët rreth oborrit patën guxim të dalin e t’ua marrin qelsat gardianëve ?
BAJRAM MUSTAFA: Nuk më kujtohen të gjithë por në mesin e tyre më kujtohet Istref Hasani nga Mitrovica, një njeri i fortë, burrë i vendosur dhe shumë i mençur, djalë besnik, vërtetë burrë, sepse me sa di është i martuar dhe ka edhe fëmijë. Një tjetër ka qenë Gjevat Mustafa nga Prishtina dhe disa të tjerë. Të gjithë rreth shtatë a tetë veta. Kanë qenë dhe  dy - tre magjupë që kanë pasur të drejtë të dalin në oborr të burgut, për rregullimin e kopshtit, pastrimin e oborrit etj., që kanë qëlluar në atë moment dhe që ju kanë bashkuar shqiptarëve.
 
BEGZAD BALIU: A nuk kanë qenë të rrezikuar këta nga gardianët ?
BAJRAM MUSTAFA: Po si. Por ata ishin shumë të vendosur. Madje Istrefi e ndal një gardian dhe e urdhëronë që të kthehet dhe t’ua hapë derën të burgosurve në Pavionin C sepse njerëzit po digjen mbrenda, por ai ia kthen duke i thënë se së shpejti do të kthehemi dhe t’iu nxjerrim të gjithëve. I revoltuar, Istrefi kap një guri dhe e gjuan mbikëqyrësin që po dilte nga oborri por ai ikë se nuk kishte guxim më të qëndrojë në zonën e rrezikuar.
Në pavionin B2 gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej ... të burgosurit thërrasin e kërkojnë ndihmë...
 
BEGZAD BALIU: Po ju të pavionit B2 si u gjetët ?
BAJRAM MUSTAFA: Në momentin kur gardianët tanë ikin, aty qëllon një i burgosur, njëfarë Naser Shporta, të cilin gardianët e kanë pasur kurir dhe ai i merr qelsat e i hapë dyert. Në pavionin tonë gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej. Ne vrapojmë drejt tij. Atje shkojmë dhe shohim se si të burgosurit thërrasin e kërkojnë ndihmë. Thejnë dritaret por jo edhe grilat e qelikta, prandaj ne kthehemi dhe marrim mjete të hekurta, kazma, lopata e gjithçka që gjetëm dhe shkojmë e i thejmë grilat dhe dyert e pavionit e i nxjerrim njerëzit jashtë.
 
BEGZAD BALIU: Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur ?
BAJRAM MUSTAFA: Ka qenë panik i madh. Më kujtohet se në vend kanë qenë të vdekur dy veta dhe shtatë a tetë veta të plagosur. I morëm të plagosurit  dhe bashkë me ta u vendosëm jashtë në kopsht. Pas pak kohësh brenda në oborr hynë ish të burgosurit serb bashkë me gardianë, policë e besa edhe me disa ushtarë të armatosur rëndë. Të gjithë ishin të armatosur dhe që nga dera kryesore e oborrit filluan të shtijnë me armë drejt qiellit dhe na urdhëruan që secili të shkojë në pavion të tij, pasi sipas tyre «nuk ka më rrezik !” I kemi lajmëruar ata të NATO-s, që këtu ka të burgosur dhe nuk do të gjuajnë më.
 
BEGZAD BALIU: Nuk më thatë edhe diçka për të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA: Të burgosurit ishin të lënduar në kokë, trup, këmbë e gjithëkah, por ne pak patëm kohë të merremi me ta sepse frikësoheshim nga rreziku i përsëritjes së sulmit mbi pavionet tjera dhe ne u angazhuam që sa më parë t’i nxjerrim jashtë edhe të burgosurit tjerë. Sa për ndihmë, një ndihmë iu dha nga të burgosurit por për dhënien e ndihmës nuk i kishim gjërat elementare. Më në fund të burgosurit me rrobat e trupit ua kanë lidhur plagët vëllezërve të tyre.
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur ndonjë të burgosur që ka ditur të lidhë plagët ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, ka pasur që kanë ditur të lidhin plagë dhe që gjithashtu janë dalluar në angazhimin e tyre për lidhjen e plagëve, p.sh. Bislim Zogaj, njeri që ka dhënë shpesh ato ditë një kontribut të madh, studentët e Unionit të Studentëve të Prizrenit, Haqif Ilazi, Bilbil Duraku, Njazi Kryeziu, Dëfrim Rifaj, Sejdi Bellanica, Haqifi ka qenë bashkë me vëlla, Sherifin, kanë qenë edhe të tjerë, që më vjenë keq që tani nuk mund t’i kujtoj të gjithë, psh. Nait Hasani, Besim Rama, Hasan Zeneli, që kanë pasur njëfarë përvoje edhe me parë për ndihmën e parë.
 
Deri më 21 maj nuk ka pasur bombardime dhe
ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut  duke
e ndihmuar njëri tjetrin
 
BEGZAD BALIU: A hytë të gjithë brenda ?
BAJRAM MUSTAFA: Sigurisht, nuk kishte asnjë mundësi që të rezistohej.
 
BEGZAD BALIU: Si e komentoni ju sulmin e NATO-s mbi pavionin C. A ka pasur ndonjë shenjë të dyshimt apo ?
BAJRAM MUSTAFA: Sipas supozimeve që i kanë bërë të burgosurit tjerë, dhe sipas të dhënave të cilat nuk e di si kanë arritur deri te ne: drejtorit të burgut Aleksandër Rakoqeviç i është thënë që t’i largojë të burgosurit sepse do të bombardohet burgu i Dubravës. Sepse aty janë përqëndruar forca të mëdha policore e ushtarake, por ai përkundrazi ka mbledhur edhe më shumë shqiptarë të burgosur duke i sjellur edhe nga burgjet tjera të Serbisë. Ka një dyshim këtu. Në atë pavion të burgosurit kanë qenë në izolim total dhe sipas të gjitha gjasave vëzhguesit e NATO-s nuk kanë parë njerëz që shkojnë në kuzhinë, dalin në shetitore etj., por vetëm gardianët duke u ndërruar në mbrëmje dhe në mëngjes. Pra kanë menduar se aty është ndonjë qendër policore apo ndonjë depo e municionit.
 
BEGZAD BALIU: Po pas hyrjes suaj mbrenda ?
BAJRAM MUSTAFA: Të burgosurit e pavionit C i kanë dërguar në shtëpinë e kulturës. Pasi na futën brenda na i lanë dyert hapur. Na thanë : nëse dëgjoni aeroplana dhe kanosje rreziku ikni dhe lirone pavionin veç mos të tentoj dikush të dalë jashtë oborrit sepse do të jetë i vrarë, kështu që ne posa dëgjonim aeroplanët dilnim jashtë në gjelbrim. Aty kemi qëndruar edhe gjatë natës duke fjetur tri netë me radhë, ndërsa nga karaullat gjuanin vazhdimisht kryesisht drejt qiellit. Po ditën e parë, pra me 19 maj, rreth orës 21 shkuam në furrë e cila edhe atë ditë ka punuar, kemi marrë bukën dhe e kemi shpërndarë në të gjithë pavionat, por së pari e kemi dërguar te të burgosurit e Pavionit C që kanë qenë të lënduar. Kemi hyrë në kuzhinë dhe kemi marrë gjellë e sende të tjera dhe ua kemi dërguar të sëmurëve dhe atyre që përkujdeseshin për ta në Shtëpinë e Kulturës. Buka është ndarë te të gjithë njëjtë.
 
BEGZAD BALIU: Pastaj ?
BAJRAM MUSTAFA: Pastaj nuk ka pasë bombardime dhe natën e kemi kaluar si kemi ditur e mundur. Të nesërmen kanë ardhur gardianët dhe përsëri na kanë futur mbrenda, dhe na u kërcnuan që të mos tentojmë ta kalojmë murin se do të vritemi menjëherë. Kështu deri më 21 maj nuk ka pasur bombardime dhe ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut  duke e ndihmuar njëri tjetrin.
 
Nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të
burgosur dhejanë plagosur prej 50-60 të tjerë.
 
BEGZAD BALIU: Kur filloi bombardimi më 21 maj ?
BAJRAM MUSTAFA: Rreth mesditës filloi dhe zgjati tërë ditën.
 
BEGZAD BALIU: Çka u bombardua në fillim ?
BAJRAM MUSTAFA : Në fillim është bombarduar ngrohtorja .
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur të burgosur aty ?
BAJRAM MUSTAFA : Jo. Ka pasur vetëm gardian.
 
BEGZAD BALIU: A janë vrarë ndonjëri nga ata ?
BAJRAM MUSTAFA : Nuk e di. Ndoshta….
 
BEGZAD BALIU: Pastaj ?
BAJRAM MUSTAFA: Pas gjysmë ore kanë filluar të bombardojnë edhe pavionet ku kemi qenë edhe ne. Në fillim është bombarduar pavioni C, të cilin e kishin bombarduar edhe më parë dhe tani nuk kishte as një njeri. Pastaj bombarduan Shtëpinë e kulturës, kuzhinën, një pavilon afër C-së d.m.th. C2. e kështu me radhë gjithë ditën.
 
BEGZAD BALIU: Në këtë rast a ka pasur të vrarë apo të lënduar ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo. Vetëm kur ka gjuajtur në shtëpinë e Kulturës dhe nuk e ka qëlluar atë por diku afër sajë e aty afër gjendeshin edhe të burgosurit atëherë aty kanë pësuar 12 viktima.
 
BEGZAD BALIU: Po të plagosur ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, një numër i vogël. Pra përgjithësisht nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur dhe janë plagosur prej 50-60 të tjerë.
 
BEGZAD BALIU: Po nga radhët e gardianëve e policëve?
BAJRAM MUSTAFA: Nuk e di se çka ka ndodhur jashtë por brenda nuk ka pasur asnjë serb qoftë ai polic apo i burgosur.
 
BEGZAD BALIU: Si jeni gjetur në atë kohë me të plagosurit, me ndihmën e parë ?
BAJRAM MUSTAFA: Brenda burgut ka qenë edhe ambulanta. Ne të burgosurit jemi shkuar dhe e kemi thyer ambulantën, ku e kemi marrë jodin dhe gjërat tjera e me atë dije që kishim ua lidhur plagët. E të vrarët i vendosnim kudo që mundnim.
 
BEGZAD BALIU: D.m.th. ndihmën e keni dhënë në kohën që NATO - bombardonte?
BAJRAM MUSTAFA: Nuk ishim të rrezikuar vetëm nga NATO-ja por edhe nga snajperistët.
 
BEGZAD BALIU: A ka psuar ndonjëri gjatë kohës që po u jepte ndimë të burgosurve ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, po. Kanë psuar disa por ata nuk kanë psuar nga NATO-ja por nga snajperistët. Emrat e tyre mua nuk më kujtohen se aty lëviznin rreth 1000 vetë, por emrat e tyre dikush i di.
 
BEGZAD BALIU: Të kujtohet ndonjëri nga të burgosurit i cili ka ditur ta bëjë punën në mënyrë profesionale ?
BAJRAM MUSTAFA: Si mjek jo, por nuk ishte kjo punë vetëm e mjekut. Ndoshta më parë vinin në pyetje vullnetarët dhe sidomos guximtarët. Kot të ishe mjek. Të duhej guximi që të dalësh nga streha që ishe futur që të mbroheshe nga raketat e NATO-s e pastaj edhe një guxim më i madh që të depërtoje nga objekti në objekt pa të kapur plumbat e snajperistëve rreth e përqark oborrit. Ka pasur shumë që e kanë pasur këtë guxim. P.sh Bislim Zogaj, më duket ka qenë teknik medicine, djemtë e Unionit të Pavarur të Prizrenit, Besimi, Naiti e shumë e shumë të tjerë.
 
BEGZAD BALIU: Po emrat e atyre që u vranë nga raketat e NATO-s?
BAJRAM MUSTAFA: Nuk më kujtohen tash por edhe emrat e tyre dihen.
 
BEGZAD BALIU: Sa ka zgjatur kjo gjendje ?
BAJRAM MUSTAFA: Gjatë gjithë ditës. Deri në mbrëmje.
 
BEGZAD BALIU: Ju i keni mbledhur kufomat. Çka keni bërë që të identifikohen ato?
BAJRAM MUSTAFA: Gjatë gjithë asaj kohe, kufomat delte që i njihte dikush dhe ne mernim një letër e një laps dhe emrin e tyre e mbështillnim në letër (në një kese najloni) e ua futnim në xhepa ose në trup diku.
 
BEGZAD BALIU: D.m.th kur policia serbe kur i ka mbledhur kufomat e ka ditur për cilët të burgosur është fjala.
BAJRAM MUSTAFA: Po shumicës së tyre ua ka ditur emrat sepse gjithmonë është gjetur ndonjë që e ka njohur tjetrin. Në burg ka pasur nga dy deri në pesë anëtarë të një familjeje. Të mos flasim pastaj për të afërm të tyre.
 
BEGZAD BALIU: Të kujtohet ndonjë familje ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo aq shumë. Më kujtohet vetëm prej familjes së Jetishve të cilët kanë qenë 7-8 veta dhe njëri prej tyre është vrarë, po cili nuk e di. Më 22 maj në mëngjes ... zëvendëskomandanti Aca ka thënë: Dilni bëhuni rresht këtu rreth murit të gjithë dy nga dy sepse do t´ju numërojmë që t´ju transferojmë në burgun e Nishit... Nuk ka shkuar shumë kohë dhe kanë filluar të shtënat me mitralozë, minahedhës, snajperë, bomba, pushkë…
 
BEGZAD BALIU: Po pas ndërprerjes së sulmeve?
BAJRAM MUSTAFA: Pas ndërprerjes së sulmeve  veç ishte terruar dhe ne shkuam e u vendosëm në stadiumin lartë mbi burg dhe kemi qëndruar aty deri në mëngjes. Mbrenda nuk ka hyrë askush të interesohet për ne ndërsa jashtë kemi parë në vendroje kryesisht gardian dhe të burgosur serbë që tani ishin veshur në rroba policësh dhe ishin armatosur.
 
BEGZAD BALIU: Ju kujtohen emrat e atyre që kanë shtënë mbi ju ?
BAJRAM MUSTAFA: Më kujtohet si njëri prej më të njohurve gardian Mitri i cili non stop ka gjuajtur drejt neve, deri në mëngjes. Gjatë natës të vdekurit i kemi lënë grupe grupe në kopsht dhe i kemi mbuluar me batanije ndërsa të plagosurit i morëm me vete dhe ua lidhnim plagët, gjymtyrët  etj., gjithkund ku ishin prekur nga plumbat apo pregjat e raketave.
 
BEGZAD BALIU: Po në mëngjes ?
BAJRAM MUSTAFA: Në mëngjes ka ardhur te karaulla zëvendëskomandanti Aca (mbiemrin nuk ia di) dhe ka thënë : Dilni bëhuni rresht këtu rreth murit të gjithë dy nga dy sepse do t´ju numërojmë që t´ju transferojmë në burgun e Nishit. Aty jemi ngritur i kemi marrë rrobat dhe gjithçka që kemi pasur sepse ashtu na ka urdhëruar dhe jemi radhitur. Nuk ka shkuar shumë kohë dhe kanë filluar të shtënat me mitralozë, minahedhës, snajperë, bomba, pushkë…
 
BEGZAD BALIU: Sa zgjati kjo ?
BAJRAM MUSTAFA: Rreth dy orë.
 
BEGZAD BALIU: U vranë shumë ?
BAJRAM MUSTAFA: Vetëm afër murit kanë qenë rreth 60 viktima dhe të plagosur të tjerë.
 
BEGZAD BALIU: Çka keni bërë ju në atë moment ?
BAJRAM MUSTAFA: Kush ka mundur të iki drejt ndërtesave poshtë, ka shpëtuar e kush është plagosur, vetëm nëse dikush e ka tërhequr zvarrë dhe marrë me vete përndryshe ai ka vdekur aty sepse nuk ka mundur kush t’ia jep ndihmën e parë. Ç´është e vërteta pasi u vendosëm nëpër pavione ne për pesëmbëdhjetë minuta u organizuam dhe duke sakrifikuar me kokë merrnim qebet me vete, shkonim zvarrë deri te i plagosuri dhe e hidhnim në  qebe e pastaj e tërhiqnim deri te pavioni C, ku ishte organizuar një ekip dhe u jepte ndihmën e parë. Pothuajse aq sa qonim të plagosur nga jashtë po aq nxirrnim të vdekur nga pavioni dhe i radhisnim para dere. Ua shënonim emrat dhe bënim listën e të vdekurve e të burgosurve.
 
BEGZAD BALIU: Duke pasur parasysh edhe të dhënën e mëparëshme del se ju keni pasur listën e të burgosurve e të plagosurve. E dini kush e ka pasur atë dhe a besoni se ajo është ruajtur ?
BAJRAM MUSTAFA: Atëherë nuk kam pasur kohë të pyes se kush po e ruan listën dhe ku po e fshehë por e di se ajo është bërë dhe diku është e ajo do të dalë një ditë. Ka mundësi që ajo listë të gjendet e ruajtur edhe në burgun e Lipjanit. Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parolla të tjera si : Rroftë Kosova ! Rroftë UÇK ! Rroftë Adem Jashari ! etj.
 
BEGZAD BALIU: Po të tjerët ku u vendosën ?
BAJRAM MUSTAFA: Çdo pavion pothuajse ka pasur të burgosur por më së shumti ka pasur në podrum të kuzhinës. Në atë kohë aty kanë qenë rreth 300 veta.
 
BEGZAD BALIU: Atë kohë dhe më parë e më vonë shpesh keni qenë të bindur se nuk do të dalë askush i gjallë. Çka bënit që të leni një shenjë se kush ishte aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parolla të tjera si : Rroftë Kosova ! Rroftë UÇK ! Rroftë Adem Jashari ! etj.
 
BEGZAD BALIU: Me çka i shkruanit ato ?
BAJRAM MUSTAFA: Me gjithçka. Me gurë, me hekura e besa edhe me gjak! Edhe me gjakun tonë. Nuk kemi harruar t’i shënojmë edhe emrat e atyre që janë vrarë. Ata ishin pjesa jonë më e ndijshme. Emrat ua kemi shkruar me gjakun e tyre.
 
BEGZAD BALIU: Atë kohë gjendeshin edhe disa që ishin në dhomat e burgut ?
BAJRAM MUSTAFA: Po në dhomat e burgut, krejt afër derës kryesore të hurjes së burgut, kanë qenë të vendosur grupi i Gjakovës. Ne një grup i yni shkuam ta nxjerrim nga pavioni. Ata ishin tani më të rrezikuarit por nuk e dinin dhe kishin frikë. I lutëm dy a tri orë dhe nuk dilnin. Thonin na kanë thënë gardianët që të mos dalim se do të ju vrasim. Atëherë i morëm kazmat e ca hekura të tjerë dhe ua thyem dyert. I nxorëm pothuajse me zor sepse i kishte kapur frika dhe tmerri dhe nuk guxonin as të shikojnë në oborr e le më të dalin vet jashtë e të bashkohen me ne. Më në fund dolën dhe i vendosëm në një vend të « sigurtë » në kuzhinë, ku ishim edhe ne. Më vonë shpesh na janë falënderuar gjakovarët për këtë. Nuk dua të parafrazoj, sidomos tani, por edhe ata shpesh e kanë përsëritur që vetëm vendosmëria jonë që ti nxjerrim nga aty ka bërë që ata sot të jenë gjallë. Në pozicionin që kanë qenë ata, shumë lehtë kanë mundur të asgjësohen, më në fund edhe ngjarjet që do të zhvillohen më vonë do ta dëshmojnë këtë.
 
Shpëtimi i të burgosurve nga Gjakova !
 
BAJRAM MUSTAFA: Në mbrëmje para se të filloj sulmi mbi të burgosurit dëgjuam se në pavionin e pranimit, në pavionin që gjendej pranë derës kryesore të hyrjes në burg, gjendeshin edhe tridhjetë të burgosur nga Gjakova. Vendosëm që të shkojmë….
 
BEGZAD BALIU: Kush shkoi ?
BAJRAM MUSTAFA: Unë dhe Halil Ademaj nga Prizreni. I thash «Halil, hajde shkojmë e i nxjerrim se kanë m’i vra krejt!» Ata janë jo vetëm pak por edhe shumë afër derës e pikave të rojes. Pritej sulmi në çdo moment…
 
BEGZAD BALIU: Sulmi i NATO-s ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo more, sulmi i të burgosurve serb, i policisë, ushtrisë etj. Shkuam. I lutëm rreth 15 minuta dhe më në fund vendosën të dalin e të bëhen bashkë me neve në podrumin e kuzhinës. Mirëpo kur dolën ata mbetën edhe nja katër a pesë të plagosur.
 
BEGZAD BALIU: Nuk i morën të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA: Vetëm unë dhe Halili e kemi marrë nga një të plagosur, të tjerët ishin të tmerruar. Nëpër oborr duhej lëvizur shpejtë, kryesisht zvarrë dhe nga këndi i një ndërtese në tjetrën, ku besoje se nuk do të vrejnë apo më mirë me thanë në aso pozite ku besoje se nuk mund të kapë lehtë plumbi i pushkës, predha e  trombllonit etj.
 
BEGZAD BALIU :Ju kujtohet cilët kanë qenë ata ?
BAJRAM MUSTAFA : Nuk më kujtohet. Në atë rast nuk e kam ditur as emrin tim e jo më ta pyes si quhet ai që e mbaja në shpinë. Më në fund aty ka pasur nga dy e tre vëllezër ose kusheri që e kanë ditur emrin e njëri-tjetrit dhe të atyre që i kanë lënë. Ka qenë moment i vështirë dhe secili është përpjekur ta shpëtoj kokën e tij…
 
BEGZAD BALIU: A u plagos ndonjëri nga ata që dolën ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo nga ai grup nuk u plagos askush dhe pasi i vendosëm në podrumin e kuzhinës u kthyem t’i marrim edhe të plagosurit tjerë, mirëpo nuk arritëm të shkojmë as në gjysmë të rrugës dhe policia e ushtria u rrasën në oborr dhe filluan të gjuajnë në drejtim të kuzhinës. Në fillim u skajuam që të presim mos po kalon ky sulm me qëllim që ne të vazhdojmë rrugën drejt të plagosurve, por kishte rrezik të qëndroje jashtë pas qosheve dhe u tërhoqëm. Sulmi zgjati rreth një orë e gjysmë… Nuk mundëm të shkojmë deri të nesërmen. Natën nuk kishte as një shansë të lëvizje nga snajperistët.  Gjatë asaj nate nuk ka pasur sulme të NATO-s dhe rreziku ishte i madh nga policët. Gjatë natës pësuan shumë të burgosur që sakrifikonin të dalin për të tërhequr të plagosur nga jashtë që kërkonin ndihmë, të burgosur që kërkonin të afërmit a shokët e zhdukur për një çast, të burgosurit që nxirnin jashtë të vdekurit, nga frika se edhe në mesin e të burgosurve mund të krijoheshin kriza të papërmbajtëshme mendore etj. etj.  Kur shkuam pamë se ishin të vrarë të gjithë. Ishin të masakruar… Me plumba dhe me bomba. Ua kishin hedhur bombat  në bark, në krye… !
 
BEGZAD BALIU: Po në mëngjes, si filluan ngjarjet ?
BAJRAM MUSTAFA: Dua të kujtoj një ngjarje që u zhvillua gjatë natës. Në mbrëmje ne kemi marrë kapakët e poqeve të neonit, i kemi rënditur në livadh dhe  me to e kemi shkruar fjalën Hellp! Pra ndihmë. Kishim besim se ato shkronja i kanë parë edhe aeroplanët e NATO-s sepse ato kanë qenë shkronja të mëdha. Çdo shkronjë ka qenë së paku dy metra.
 
BEGZAD BALIU: Kujt i shkoj mendja për këtë ?
BAJRAM MUSTAFA: Mendja i ka shkuar ndoshta shumë kujt por problemi ka qenë kush do të rrezikoj që të dal e t’i shkruaj ! E kishte rrezik por qëllimi ishte që së paku dikush ta dijë se jemi këtu, sepse ne e dinim se do të vriteshim të gjithë, më parë a më vonë… Kryesorja dikush ta dinte. Kështu që kur hynë në oborr i panë dhe filluan të shajnë e të bërtasin kundër neshë duke i shqelmuar kapakët në të gjitha anët. Natyrisht ata nuk guxonin të na sulmonin ku ishim shumë dhe aty vetëm sulmonin me bomba dore e me minahedhës e iknin por ku shihnin se janë pakë, p.sh. nga dy deri në pesë a gjashtë, nëpër shakta të ujit, podrume më të hapura dhoma izolimi etj., ata i masakronin me gjakftohtësi.
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur shumë shakta ?
BAJRAM MUSTAFA: Po kanë qenë rreth njëzetë - tridhjetë shakta, ndoshta…
 
BEGZAD BALIU: Nga sa veta kanë mundur t’i kenë zënë ato shakta ?
BAJRAM MUSTAFA: Ka pas shaktë që i ka zënë pesë vetë por ka pasur shaktë që i ka zënë edhe njëzetë deri në tridhjetë veta. Kanë hyrë aty njëri mbi tjetrin dhe mbi ta janë hedhur bomba dore. Sigurisht në ato shakta nuk janë vrarë të gjithë sepse ata që kanë qenë në fund të shaktës kanë pasur dhjetë veta përmbi nuk i ka përshkuar bomba, por ka pasur shumë të plagosur. Në anë tjetër atje ku ishim ne në podrum rreth 400-500 vetë nuk kanë guxuar të afrohen, por kanë gjuajur rreth dy orë me snajperë, trombllone dhe bomba. Edhe në mëngjes pra e kanë përsëritur të njëjtin skenarë : duke hulumtuar shaktat dhe vendstrehimet tjera dhe duke sulmuar nga largë podrumin. Në të njëjtën kohë në mëngjes nga ne kërkohej që të dalim jashtë.
 
BEGZAD BALIU: Si vepruat ju në ato çaste? Ishte rrezik ta humbnit kontrollin jo vetëm me njëri tjetrin po edhe mbi vete !
BAJRAM MUSTAFA: Mendoj se jo. Ende ishim në gjendje të komunikonim ta ruanim rendin dhe ta mbanim gjendjen në duart tona. Fillimisht vendosëm që të mos dalim dhe kjo zgjati rreth dy orë. Ne u betuam që të mos dalim. « Më mirë të vdesim të gjithë bashk se të dalim e të na masakrojnë një nga një ! - i tham njëri tjetrit. Ne e dinim se do të jemi të vrarë ashtu apo kështu. U pëshëndetëm njëri me tjetrin, u hallashtisëm… !
 
BEGZAD BALIU: Megjithate ju vendosët që të dilni dhe të shihni çka po ndodh. Si u morë ky vendim ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, u morë sepse filluan të na thrrasin disa nga ata që ishin dalur jashtë më parë, nga disa grupe tjera.
 
BEGZAD BALIU: Çka thonin ata ?
BAJRAM MUSTAFA: Dilni se nuk do të ndodhë asgjë, dilni… Nuk kemi pasur kohë të diskutojmë por e kemi ditur se ne ose ata në emër tonin do të masakrohen dhe  si arsyetim do të kenë këmbëngultësinë e sidomos rreth 50-60 të burgosurve që ishim në një podrum më thellë.
 
BEGZAD BALIU: Dhe dolët ?
BAJRAM MUSTAFA: Po dolëm. Na nxorën në livadh dhe me duar rreth qafe na urdhëruan që të ulemi në gjunjë dhe më vonë na drejtuan në drejtim të sallës së sportit. Aty na mblodhën të gjithëve.
 
BEGZAD BALIU: Të gjithëve… ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, po të gjithë… Mendoj, të gjithë ata që dolën jashtë nga vendstrehimet. Pastaj, i morën disa të burgosur që t’i marim edhe të plagosurit, sepse thanë « po domë me e ditë sa jeni, pasi nesër do të ju dërgojmë në burgun e Lipjanit » ! Dolën disa të burgosur dhe i sollën edhe të plagosurit në sallë… Gjatë gjithë kësaj kohe na janë kërcnuar që të dalim e të vimë të gjithë sepse të gjithë ata që gjenden jashtë salle do të pushkatohen.
 
Shpëtoi duke u fshehur në miell !
 
BEGZAD BALIU: Sa mendon që keni qenë në sallë ?
BAJRAM MUSTAFA: Mendoj se kemi qenë mbi shtatëqind…
 
BEGZAD BALIU: Besonit që do të ju dërgojnë në burgun e Lipjanit ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo aspak. Më shumë besonim se salla është e minuar dhe aty do të masakroheshim të gjithë…
 
BEGZAD BALIU: Megjithate kishte polic mbrenda…
BAJRAM MUSTAFA: Po polic kishte brenda, por ata ishin dy a tre vetë dhe të tjerët nuk rrinin aty, e sa për dy tre polic a të burgosur me maska sigurisht që serbët edhe mund t´i sakrifikonin për shtatëqind shqiptarë… Të tjerët rrinin në dritare me pushkomitrolezë. Aty na kanë mbajtur 3-4 orë deri sa i kanë mbledhur « të gjithë ». Pas kësaj erdhën e filluan të na bëjnë lajka. Na i sollën tre boksa cigare. Na thanë se na i kishte dërguar drejtori i burgut. Gjoja se po na numrojnë, na urdhëruan që të grumbullohemi në një qoshe dhe të na mbështetin për muri duke na thënë se duam ta dijmë sa autobusa e kamiona duhet t’i porosisim për ju. Kemi dyshuar gjatë gjithëkohës se duke na grumbulluar në një qoshe do të na hedhin benzinë a naftë dhe do të digjemi të gjithë, në emër të sulmit të NATO-s, por nuk ndodhi kështu. Pas gjithë kësaj na thanë se jeni të lirë dhe mund të dalim e të përgatisim madje edhe bukë për të burgosurit.
 
Kur kemi dalur nga salla dhe kemi fituar njëfarë lirie
për të lëvizur në podrumin e ndërtesës së ujit kemi gjetur tetë vetë të pushkatuar.
 
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet emri i ndonjërit prej të vrarëve aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, më kujtohet një Petrush Perlazi i anës së Prizrenit, një Fejza…
 
BEGZAD BALIU: A kanë qenë ata të burgosur të mëhershëm apo që i patën sjellur para luftës ?
BAJRAM MUSTAFA: Ka pasur edhe aso të parë edhe të dytë… harrova të themë se për aq sa di unë vetëm një ka shpëtuar nga ata që janë fshehur. Njëri ishte futur në miell dhe si duket policëve nuk ju ka kujtuar që ta hulumtojnë, ashtu që vetëm kur kemi shkuar ne ai na ka dëgjuar dhe ka guxuar të dal nga mielli. Gjatë kohës sa ishim ne në burg policia pat sjellur në burg rreth 300-400 lopë, kuaj e kafshë të tjera të cilat i plaçkitnin kryesisht nga fshatrat përreth. Patën sjellë edhe shporeta, miell e gjëra tjera ushqimore, madje edhe dru poashtu të vjedhura, të gatshme vetëm për përdorim. Në mesin e gjërave ushqimore ka pasur edhe pako të tëra me vaj, sheqer, njëfarë si keçap nëpër kanta të mëdha si dhe ndihma të tjera ushqimore të sjellura nga organizatat humanitare ndërkombëtare. Ne i shfrytëzuam ato dhe organizuam përgatitjen e ushqimit së pari për të plagosurit dhe ata që e jepnin ndihmën e parë për ta ose që përgjithësisht ndihmonin të plagosurit në sallë. Ndoshta për ju duket e çuditëshme por të gjithëve atë ditë dhe atë natë ju kemi shpërndarë petulla dhe njëfar si gjelle me keçap për më të smurit, të përgatitura nga furrëtarët dhe gjellëbërsit e kuzhinës.
 
Në mesin tonë kam njohur edhe të tjerë…
 
BEGZAD BALIU: Nuk ju kam pyetur, a ka pasur të burgosur të nacionaliteteve të tjera në burgun e Dubravës, të cilët janë trajtuar në të njëjtën masë me të cilën jeni trajtuar edhe ju?
BAJRAM MUSTAFA: Po me sa di unë me ne ka qenë edhe një Xhevat Daçiqi rreth 27-vjeçar, nga Rozhaja, më duket babën e ka pasur shqiptarë e nënën muslimane! Ai me disa shqiptarë ka qenë njëri prej organizatorëve për përgatitjen e ushqimit…
 
BEGZAD BALIU: Përçka ka qenë i burgosur ai ?
BAJRAM MUSTAFA: Ka qenë i burgosur ordiner.
 
BEGZAD BALIU: Po të tjerë. Romë nuk ka pasur ?
BAJRAM MUSTAFA: Po ka pasur. Kanë qenë së paku edhe dhjetë romë të cilet nuk janë ndarë nga ne…
 
BEGZAD BALIU: Përse kanë qenë të burgosur ata ?
BAJRAM MUSTAFA: Të burgosur ordiner.
 
BEGZAD BALIU: Po të vrarë e të plagosur a ka pasur në mesin e tyre ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, ka të vrarë… Me emër e di një Shabanin. Ka qenë nga Mitrovica. Ai ka tentuar të iki nga burgu i Dubravës të shtunën në mbrëmje, dmth më 20 maj. Ai është vrarë së bashku me tetë a nëntë të tjerë posa e kanë kaluar murin e burgut.
 
BEGZAD BALIU: Po të tjerë a ka pasur që kanë pasur sukses të kalojnë rrethimin ?
BAJRAM MUSTAFA: Po ka qenë edhe një që ditën e parë të sulmit të NATO-s ka pasur sukses të shkojë deri në Klinë apo Istog, nuk e di mirë. Mirëpo e kishin zënë dhe e kthyen. Të nesërmen në mbrëmje ai i mori edhe shtatë a tetë veta dhe iku, por nuk shkuan as pesëmbëdhjetë minuta dhe i dëgjuam pushkët. Ata i vranë !
 
BEGZAD BALIU: Të kujtohet emri i tij ?
BAJRAM MUSTAFA: Më kujtohet vetëm emri i tij, Arsim, nga Podujeva.
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur sulme atë ditë dhe gjatë natës ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo, sulme nuk ka pasur ndërsa gjuajtje të herë pas herëshme po. Ndoshta frikoheshin se dikush do të dalë jashtë murit. Po, gjuhej kryesisht përpjetë. Po, ne deri në mbrëmje kemi ngrënë bukë të gjithë dhe posa ka rënë terri ne jemi ndarë në dy grupe të mëdha dhe jemi « fshehur » kryesisht në dy pavione : B 1 dhe B2.
 
BEGZAD BALIU: Po të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA: Ata që ishin të plagosur shumë kanë mbetur në sallë ndërsa ata që ishin më pak të plagosur janë vendosur në pavione me të cilët kishte edhe të burgosur të tjerë që kujdeseshin për ta. Kështu deri në mëngjes ?
 
Transferimi në burg të Lipjanit
 
BEGZAD BALIU: Në mëngjes ?
BAJRAM MUSTAFA: Në mëngjes erdhën dhe na rreshtuan. Na thanë t´i marrim rrobat e qantat, të gjitha ato që i keni dhe ne i morëm çka patëm, por në fund na urdhëruan që t’i lëmë të gjitha dhe të dalim vetëm me duar në xhepa. Jemi dalur të gjithë te dera. Na kanë hypur në autobusa dhe na kanë drejtuar për në burgun e Lipjanit.
 
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet sa autobusa kanë qenë ?
BAJRAM MUSTAFA: Më kujtohen diku tetë autobusa, por ka pasur edhe kamiona në të cilët kanë qenë të vendosur të plagosurit. E di se autobusat kanë qenë autobusë privat që ua kishin marrë shqiptarëve nga Peja, Istogu dhe rrethina… Unë kam qenë në autobusin « Kaltrina Tours ». Rruga ka zgjatur rreth dy orë.
 
BEGZAD BALIU: A keni vërejtë diçka të veçantë rrugës ?
BAJRAM MUSTAFA: Rrugët kanë qenë të mbushur me çetnik e paramilitarë, romë të veshur në unformë që rrugës bërtisnin, fyenin, maltretonin…
 
BEGZAD BALIU: Edhe juve në autobus…
BAJRAM MUSTAFA: Me na ndalë na kanë ndalur por kanë hyrë vetëm në derë dhe na kanë sharë, ndërsa nja dy autobusë mbrapa nesh kam dëgjuar se i kanë maltretuar më shumë. Rrugës kamë parë shumë shtëpi. Lagje e fshatra duke u djegur. Ende nuk më hiqet nga mendja momenti kur i pashë duke u djegur shtëpitë e dajëve në Dobrevë, tek po digjeshin. Kisha besim të madh se aty në themele digjej edhe gjyshi im bashkë me librat e vjetra të Fishtës që i ruante tash e mbi 50-vjetë dhe ua recitonte mysafirëve netëve të gjata të dimrit. Nuk e di ndoshta kam menduar më gjatë por nuk besoj… Nuk e kemi ditur fundin tonë. Kemi luftuar si ta zgjasim jetën edhe një sekond, por jeta megjithatëë nuk kishte asnjë kuptim.
 
Nata me kujë, vaj e  thirje grashë e fëmijësh…
 
BEGZAD BALIU: Në burgun e Lipianit, si e keni gjetur gjendjen ?
BAJRAM MUSTAFA: Në Lipian e kemi gjetur gjendjen si në çdo burg. Kemi gjetur edhe të burgosur të tjerë. Ata kanë kanë qenë në pavionin numër 4 dhe disa të tjerë në tip të lirë  por nuk kemi pasur kurrfarë kontakti me ta.
 
BEGZAD BALIU: Ku ju vendosën juve ?
BAJRAM MUSTAFA: Neve na kanë vendosur në pavioni 1, 2 dhe 3.
 
BEGZAD BALIU: Po të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA: Në njëfarë shtëpie të shëndetit.
 
BEGZAD BALIU: Si ju kanë pritur aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Si në të gjitha burgjet. Së pari dajakun e pastaj mbrenda.
 
BEGZAD BALIU: Sa të burgosur beson se kanë qenë aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Vetëm në pavionin 2 kemi qenë mbi 240. Pavioni një dhe tre kanë pasur pak më pak.
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur polic apo gardian shqiptarë aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Nuk e di por flitet se e kanë parë Gani Tarën, gardian.
 
BEGZAD BALIU: Si keni kaluar aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Shumë keq. Pesë vetë kemi marrë një çerek gote me gjellë. Kemi fjetur në tokë…
 
BEGZAD BALIU: Ndonjë gjendje të veçantë ?
BAJRAM MUSTAFA: Gjatë kohës sa kemi qenë ne aty i kemi parë duke i nxjerrur katër të vdekur nga stacionari.
 
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet emri i ndonjërit prej tyre ?
BAJRAM MUSTAFA: Jo, vetëm e di se ata kanë qenë me ne të plagosur që në burgun e  Dubravës. Kemi qenë të lodhur dhe të traumatizuar për të mbajtuer mend emra njerëzish. Po ua jap vetëm një detaj. Ne ishim disa vetë në një dhomë dhe çdo aeroplanë që dëgjonim se po sillej në qiell ne turr e vrap njëri mbi tjetrin, kush arrinte i pari, strukeshim në një qoshe të dhomës. Nuk e di si kemi shpëtuar me mend, nuk e di si e kemi mbajtur mend emrin tonë. Ndoshta falë njerëzve të mençur e burrave të vendosur që kemi pasur rreth vetes e ata, sidomos të burgosurit politik kanë pasur mend edhe për veti edhe për ne… Qe besa edhe sot unë nuk jamë liruar nga ajo traumë. Posa ta dëgjoj një zhurmë në qiell nuk mund të rri pa shikuar lartë…Një ngjarje shumë e veçantë, jo vetëm për kohën e qëndrimit në burgun e Lipjanit por edhe në gjithë jetën time ka qenë një natë para se të na transferonin në burgun e Nishit. Atë natë është bërë transferimi i grave nga burgu i Lipjanit në burgun e Pozharevcit. Nuk i kemi parë, por i kemi pasur afër. Kemi dëgjuar kujë e zhurmë, vaj, thirrje, zhurmë policësh… Atë natë ka qenë një tragjedi e madhe në jetën e tyre dhe në jetën tonë. Në shpirtin tonë ka pasur dhembje dhe trishtim më shumë se sa kur na kanë mbështetur për muri për të na pushkatuar. Ishte vështirë të dëgjos e të mos mund të ju ndihmosh motrave e nënava shqiptare. Ishte më vështirë se sa kur vetë para 20 ditëve gjendeshim para të masakruarve në burgun e Dubravës dhe na kërkonin ndihmë…
 
BEGZAD BALIU: A keni dëgjuar zëra fëmijësh ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, kemi dëgjuar edhe zëra fëmijësh… Shumë apo pak nuk e di se veshtë na kanë ushtuar e mendjen nuk e kemi pasur me vete por…
 
BEGZAD BALIU: Sa ka zgjatur kjo ?
BAJRAM MUSTAFA: Ka zgjatë, së paku dy orë… Dhe më në fund u çetësua çdo gjë, ..vdiç… Më vonë kemi dëgjuar se i kanë dërguar në Pozharevc.
 
BEGZAD BALIU: Sa keni qëndruar në burgun e Lipjanit?
BAJRAM MUSTAFA: Shtatëmbëdhjetë ditë. Pra, jemi vendosur më 24 maj nga burgu i Dubravës jemi transferuar në Burgun e Lipjanit dhe pas 17 ditësh, më 10 qershor jemi transferuar në burgun e Nishit.
 
BEGZAD BALIU: A kanë mbetur të burgosur të tjerë në burgun e Lipjanit ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, kanë mbetur disa që kanë qenë me dënime të vogla dhe me sa kemi dëgjuar ne ata janë liruar. Flitej se ndonjërin edhe e kanë vrarë por unë nuk di asgjë konkretisht dhe ndoshta ka qenë vetëm fjalë goje. Sidoqoftë kush ka qenë aty dihet dhe nëse mungon sot, kjo dmth se ato fjalë nuk kanë qenë vetëm fjalë.
 
Çlirimi shpirtëror i gardianit serb
 
BEGZAD BALIU: Ditën e nënshkrimit në mes të trupave të NATO-s dhe ushtrisë Jugosllave ju jeni transferuar në Burgun e Nishit ? A keni qenë të njoftuar për dorëzimin e ushtrisë jugosllave dhe për rrugën që keni bërë ?
BAJRAM MUSTAFA: Rrugës na kanë malltretuar dhe rrahë deri në Nish, nuk na kanë lënë ta ngrejmë kokën me shiku kah po na çojnë e ne nuk e dinim se po na dërgojnë për Nish? Duart i kemi pasur të lidhura me litarë dhe perdet e dritareve kanë qenë të lëshuara…Vetëm një shenjë më kujtohet kur na e dha një gardian. Diku në mes të Podujevës e Prokuples një gardian mori frymë thellë dhe duke lëshuar një ofshamë tha : « Eh tash jemi në Serbi, kjo është Serbia…
 
BEGZAD BALIU: Ku besonit se po ju dërgojnë ?
BAJRAM MUSTAFA: Mendonim se po na dërgojnë në kufi të Shqipërisë apo të Maqedonisë.. Flitej gjithqysh… Që janë duke u zhvilluar biedime e kemi ditur por se është nënshkruar marrëveshja, nuk e kemi ditur.
 
Ukshin Hoti - njeri për të gjitha kohërat !
 
BEGZAD BALIU: Një pyetje e pashmangshme. A e keni njohur Ukshin Hotin ?
BAJRAM MUSTAFA: Unë nuk e kam pasur në pavion, ai ka qenë në pavionin numër 2, por mund të themë se të gjithë kemi ditur diçka për te dhe kemi pasur konsiderata të mëdha të gjithë të burgosurit. Bie fjala shpesh e kemi përcjellur për dritare dhe e kemi përshëndetur kur ai shkonte në kuzhinë dhe e di se zakonisht përcillej edhe nga njerëzit tanë, edhe pse askush nga ne nuk e ka pasur jetën të sigurtë. Gjithmonë i jemi frikësuar eleminimit të tij.
 
BEGZAD BALIU: A ka pasur shenja nga autoritetet e burgut për një gjë të tillë ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, ka pasur nga të dy anët. Ka pasur gardian që janë sjellur në mënyrë arrogante ndaj tij, pikërisht pse e kanë ditur me kë kanë të bëjnë, por ka pasur edhe gardianë që i janë përulur autoritetit të tij.
 
BEGZAD BALIU: Si e keni pritur largimin e tij nga burgu ?
BAJRAM MUSTAFA: Me keqardhje. Nuk e dinim çfarë fati e priste dhe e ndjenim veten të vetmuar, pa mbrojtjen morale të tij. E kemi përcjellur dhe përshëndetur një numër i madh i të burgosurve. Natyrisht në mënyrën tonë, për dritare… Ishte ditë e dielë. Kishte dy kofera në dorë. E pamë se po dilte ai dhe me të ishin katër gardian… Në mesin e të burgosurve flitej se largimi i tij lidhet me vendimin e NATO-s për ta bombarduar burgun. Drejtori e ka pasur këtë informatë dhe prandaj e ka larguar Ukshinin një ditë përpara. Kjo shpjegohej atëherë dhe shpjegohet edhe sot në mesin e të burgosurve se ata kanë dashur ta ruajnë Ukshinin dhe Ukshin Hoti është gjallë! Natyrisht ne jemi frikësuar se mos ate po e marrin që ta përpunojnë për nevoja të veta! Natyrisht ka pasur edhe informata të tjera kryesisht senzacionale, të cilart këtu nuk më duke interesant të thuhen, por po ua tregoj vetëm një fakt që më ka bërë përshtypje pasi jam transformuar në burgun e Nishit. Shkova në stacionar dhe një i burgosur serb aty më ka pyetur për fatin e Ukshinit. I thashë që nuk është me neve. Jam takuar me të burgosur serb që me Ukshinin kanë qenë në burgun e Sremit dhe më kanë thënë : Ai është njeri i  madh dhe shumë i dijshëm, është njeri për të gjitha kohërat !
 
Burgu i Nishit
 
BEGZAD BALIU: A keni gjetur të burgosur shqiptarë aty ?
BAJRAM MUSTAFA: Kur kemi shkuar atë ditë jo ? Ata i kishin hequr dhe i kishin dërguar në një « pushimore » ?
 
BEGZAD BALIU: Sa të burgosur kanë qenë ata ?
BAJRAM MUSTAFA: Rreth 50 vetë.
 
BEGZAD BALIU: Si i keni pasur kushtet në Burgun e Nishit ?
BAJRAM MUSTAFA: Të rënda. Tortura, ushqim i kufuzuar rreth gjashtë muaj me radhë…
 
BEGZAD BALIU: Pas sa kohësh keni pasur vizitën e parë nga një organizatë ndërkombëtare apo anëtarë familjeje ?
BAJRAM MUSTAFA: Pas tre muajsh.
 
BEGZAD BALIU: Për çka janë interesuar ata më shumë ?
BAJRAM MUSTAFA: Kryesisht për evidentim… Janë interesuar më shumë për rastin e Dubravës.
 
BEGZAD BALIU: Po nga anëtarët e familjes ?
BAJRAM MUSTAFA: Pas më shumë se katër muajsh a pesë. Fillimisht kanë ardhur kryesisht nënat. Atëherë kemi dëgjuar për herë të parë se nga Kosova janë tërhequr të gjitha forcat e armatosura. Janë shpërndarë pako dhe langje për të gjithë, sa ka pasur.
 
BEGZAD BALIU: Po për shokët tjerë a keni pasur informata të tërthorta ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, kemi marrë informata përmes letrave të ndryshme dhe sidomos përmes atyre që transferohen nga burgu në burg për t’iu shqiptuar dënimet. Nga letrat kemi kuptuar se në Burgun e Sremit dhe të Leskocit gjendja është më e vështirë. Gjatë kësaj kohe kemi dëgjuar se në Burgun e Sremit gjenden edhe 700 kroat - rob lufte.
 
BEGZAD BALIU: Si e keni marrë vesh këtë ? A mund të na thoni diçka më shume¨ ?
BAJRAM MUSTAFA: Po, ja kështu, përmes këtij lloj komunikimi. I kanë zbuluar shqiptarët por një kohë të gjatë nuk kanë guxuar t’i tregojnë. Unë nuk di asgjë më shumë, por është përfolur kjo atje dhe kaq di edhe unë.
 
BEGZAD BALIU: Cila është ana shpirtërore e të burgosurve ?
BAJRAM MUSTAFA: Të burgosurit janë shumë mirë të organizuar prandaj edhe shpirtërisht gjenden mirë. Ndihmojmë njëri tjetrin me cigare e ushqim për ata që nuk kanë vizita, ju e dini se ne të gjithë - kush më shumë e kush më pak kemi pësuar trauma të luftës dhe kemi nevojë për një fjalë të mirë, të mençme, udhëzuese për jetë…
 
BEGZAD BALIU: A është ndërmarrë diçka që të tejkalohen sidomos traumat ?
BAJRAM MUSTAFA: Nga autoritetet e burgut jo, ndërsa nga tanët po. Takohen njerëzit rregullisht dhe bisedohet në aspektin pozitiv për të arriturat e Kosovës, për heqjen qafe të policisë e ushtrisë serbe, pra nuk do të ketë policë e ushtri serbe, as romë të organizuar për të bërë krime mbi shqiptarët,… Ne jetonim duke ëndërruar si duket ajo Kosvë e lirë sot, të cilën e kemi ëndërruar dje të gjithë, si punohet pa frikë e trishtim në Kosovën e lirë sot, si ndërtohet sot ajo nga dora shqiptare dhe ndihma ndërkombëtare… Pra, ne i shërojmë plagët me ëndërrat për Kosovën të cilën e bëni ju sot. Dhashtë zoti e të mos i zhgënjejmë ata që janë gati të jetojnë edhe 20 vjetë në dhunën serbe vetëm që pas njëzetë vitesh ta shohin Kosovën e ëndërruar.
 
BEGZAD BALIU: Pas gjithë asaj katrahure që keni përjetuar, cila është shpresa që i mban të burgosurit se do të lirohen së shpejti një ditë?
BAJRAM MUSTAFA: Në fillim kemi pritur me javë, dy javë dhe muaj. Kështu kanë shkuar shumë ditë, shumë javë e shumë muaj… Ka pasur besim se do të nënshkruhen marrëveshje për t’u liruar të gjithë. Kemi besuar se edhe në anën e shqiptarëve do të ketë të burgosur dhe ata do të na këmbejnë një ditë : të gjithë me të gjithë apo…. Madje kjo shpresë ende nuk është fikur për këmbim. Njerëzit nuk mund të besojnë se i kemi lëshuar serbët ta lëshojnë Kosvën ashtu pa një therrë në këmbë e në anën tjetër e kemi ditur se në Serbi gjenden gjithë ata të burgosur.
 
BEGZAD BALIU: Ju jeni liruar me 18 shkurt 2000, si e keni parë Kosovën ?
BAJRAM MUSTAFA: Pas gjithë atyre krajateve që kam kaluar, përsëri e ndjej veten të lumtur. Kam shpresë në angazhimin e organizatave qeveritare dhe joqeveritare dhe aq sa kërkohet do të ndihmojë edhe unë.
 
Kjo intervistë me disa shkurtime është botuar në revistën “Pasqyra: “Burgu që ndjek, (Intervistë me Bajram Mustafën), Pasqyra, v.II. nr. 17, 26 mars 2000, f. 4-5. dhe Emrat tanë i kemi shkruar në mure me gjakun tonë ( pjesa e dytë ), Pasqyra, v.II. nr. 18, 31 mars 2000, f. 16.”
  
powered by Beepworld