Si funksionon Serbia në Kosovë?! ( I )

 

 

FUNKSIONIMI I MUP’it,

SHËRBIMEVE SEKRETE DHE GRUPEVE TJERA KRIMINALE

SERBE NË KOSOVË!

Shkruan: Sheradin Berisha

 

 

     Prania e shtetit serb në Kosovë nuk ka pushuar së ekzistuari as pas qershorit 1999 kur Kosova u vu nën protektoratin e OKB’së. Përderisa para luftës Serbia në Kosovë ishte e pranishme me administratën dhe forcat ushtarako’policore të kryekriminelit Millosheviq, pas qershorit të vitit 1999 ajo do të jetë e pranishme nëpërmjet strukturave të saja paralele. Pra, rrjedhimisht prania e shtetit serb në Kosovë nuk ka pushuar për asnjë çast, ajo vetëm se, e ka ndërruar formën e veprimit. Në vitin 2000, pas ndërrimit të pushtetit në Serbi, qeveritarët e rinj të Beogradit trashëguan gjithë infrastrukturën kriminale të Milosheviqit në Mitrovicën Veriore, në Leposaviç, Zubin Potok dhe në Zveçan. Nën maskën e të ashtuquajturës “Qendra për paqe dhe tolerancë”, në këtë pjesë të pushtuar të Kosovës u shfaqën fillimisht “Rojat e urës” në krye me Oliver Ivanoviçin, Marko Jakshiqin, Spasoje Memaroviq etj. Kjo strukturë kriminale përbëhej edhe nga „tigrat“ e kriminelit Zhelko Razhnjatoviq - Arkan, nga pjestarë të Partisë Radikale - çetnike të Sheshelit, agjentë të Shërbimit Informativ Serb (BIA), pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) etj.

 

Shikoni: Hartën e komunave të Kosovës. Veriu i Kosovës me ngjyrë portokalli dhe

Lumi Ibër që ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë!

 

Kontrolli serbë në Veri të Kosovës!

 

     “Beogradi po përgatitet, pas ndonjë veprimi të keq të shqiptarëve, për të hedhur forcat e tij në pjesën veriore të Kosovës. Nuk ka njeri që kohët e fundit të ketë qenë në Beograd e që nuk e ka krijuar këtë përshtypje. Nëse amerikanët dhe evropianët nuk ndërmarrin hapa energjikë, druaj se ekziston një përpjekje e re e zgjidhjes së dhunshme të situatës në Kosovë,…” - kështu pati deklaruar, më 15 janar 2005, për “Zërin e Amerikës” Daniel Server, drejtor i Iniciativës Ballkanike në Institutin e Paqes në SHBA. Dhe këtë përceptim real të situatës në veri - nga z.Server, duket se e kanë dëshmuar të gjitha zhvillimet e mëvonshme në këtë pjesë të Kosovës. Këtë fakt e përforcojnë edhe më shumë, dislokimet e forcave ushtarake serbe në Kosovën lindore në tetor 2006, që krejt padrejtësisht po thirret Lugina e Preshevës. Pavarësisht nga deklarimet e përditshme të administratës së UNMIK’ut dhe të institucioneve të Kosovës se, situata në veri të Kosovës është e qetë dhe nën kontroll të plotë, informatat nga terreni tregonin se, në Mitrovicën veriore dhe në tri komunat tjera në: Leposaviç, Zubin Potok dhe në Zveçan, po veprojnë në forma të kamufluara njësi vullnetare serbe, të organizuara nga Beogradi. Në një koment të botuar më 16 qershor 2006 në gazetën “Epoka e re” thuhet se, “njësitë paraushtarake dhe ushtarake të qeverisë së Serbisë kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe e kanë situatën nën kontroll në veri. Disa nga ata qarkullojnë me uniforma të SHPK’së, disa me veshje civile, disa me uniforma të kamufluara.” Në këtë mënyrë, duket se Qeveria e Beogradit ka imponuar shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme” në tri komunat e veriut të Kosovës dhe prandaj, në këtë frymë sillen edhe të gjithë serbët deri në Urë të Ibrit, ku ndahet jugu prej veriut të Mitrovicës.

 

Ndërtesa e MUP'it në Mitrovicën veriore!

 

Strukturat e MUPit serbë etj.,në veri të Kosovës!

 

     Pas shpalljes së pavarësisë, veriu i Kosovës ka hyrë në një periudhë të mungesës së plotë të vënies së ligjit dhe rendit kushtetues. Madje, zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë këtë zonë e kanë cilësuar si një “El Dorado” të Kosovës, dhe kjo gjendje ashiqare është pasojë e një dështimi total të UNMIK’ut, të KFOR’it dhe të institrucioneve vendore. Në vend të ndryshimit pozitiv të gjendjes, atje është ruajtur gjendja e status quosë, duke u përqendruar në urën e lumit të Ibrit e cila e ndanë Mitrovicën në dy pjesë. Dihet mirëfilli se, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës u përforcuan me qindra pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë - MUP, pastaj nga Sektori policor i Sigurisë Publike dhe departamentet tjera policore, atë të Zbulimit të Shtetit - BIA, të Zbulimit ushtarak VBA e deri te Mbrojtja Civile që kishin ardhur nga Serbia. Selia e udhëheqjes më të lartë të MUP’it dhe BIA’s etj., në Mitrovicën veriore gjindet afër lagjes së Boshnjakëve.

     Në veri të Kosovës operojnë këta eprorë të lartë të MUP’it serbë:

1. Gjorgje Dragoviç;

2. Ninoslav Mijanoviç;

3. Ivan Aksentijeviç;

4. Sinisha Miliç;

5. Zhivojin Djuriç;

6. Banoviç Sreçko.

Ndërkaq, në veri të vendit - me seli në Mitrovicën veriore vepron edhe Mbrojtja Teritoriale serbe (Teritorialana Odbrana) e cila përbëhet nga:

1. Radisav Janjiqeviç;

2. Bratisllav Stoisavljeviç;

3. Vladan Radovanoviç;

4. Dobrivoje Miliçeviç;

5. Stevan Bozhoviç;

6. Rale Bogdanoviç.

     Këto struktura militare e paramilitare që kishin bërë krime gjatë luftës në Kosovë, ishin në krye të të gjitha aktiviteteve kriminale në veri të Kosovës. Këto struktura kriminale, në fillim të shkurtit 2000 morën pjesë në vrasjen e 11 shqiptarëve dhe shpërngulën e mbi 13.000 të tjerëve nga shtëpitë dhe pronat tyre, ishin organizatorë të të gjitha aktiviteteve kriminale në Kosovë, prej  prillit të vitit 2002 kur u plagosën 22 policë polakë e deri me 17 mars 2008, kur u organizua një demonstratë e dhunshme pas uzurpimit të Gjykatës së Qarkut nga gjykatës dhe prokurorë serbë, aty mbeti i vrarë një polic i UNMIK’ut nga Ukraina. Ata ishin të përfshirë edhe në djegien e dy pikave kufitare 1 dhe 31, më 19 shkurt 2008 (vetëm 2 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës).

 

Armë, municione, uniforma dhe pasaporta serbe, të

strukturave parale serbe që veprojnë në Kosovë!

 

Dokumente të identifikimit të agjentëve të sigurimit serbë!

____________________________________

Plani sekret i qeverisë serbe “Aksioni” në veprim!

 

     Kjo strukturë kriminale, pa u penguar nga askush ka vazhduar aktivitetin e saj konform planit sekret të Qeverisë së Serbisë, të koduar “Aksioni”. Sipas burimeve zyrtare serbe, bojkotimi i organizuar i policëve serbë të SHPK’së, është bërë në përputhje të plotë me porositë e planit sekret “Aksioni”. Ministri për Infrastrukturë i Qeverisë së Serbisë, Velimir Iliq, atëkohë u kishte deklaruar medieve serbe se “ne do të kemi policinë tonë lokale në hapësirat serbe dhe se veprimi i policëve serbë është pjesë e planit aksionar”. Kjo strukturë serbe në veri të Kosovës, ka një infrastrukturë të sofistikuar logjistike të përgjimit nga stacionet e radarëve në Kopaonik, që shtrihet në kufi me Kosovën në një lartësi mbidetare prej 2000 m. dhe vazhdimisht ndihmohet nga qendrat komanduese profesionale të dislokuara në Nish, Rashkë, Novi Pazar, Kralevë etj. Në këtë kuadër MUP’i serb në Kosovë ka të ndërtuar rrjetin e radiolidhjeve dhe të përgjimit, në bazë të një strukture të fshehtë organizative me qëllim të organizimit të akteve të ndryshme kriminale. Kjo ministri famëkeqe përmes agjentëve të BIA’s dhe grupeve të shumta kanë organizuar një varg aktesh terroriste kundër civilëve, vendbanimeve e automjeteve të serbëve me qëllim që fajin t‘ua hedhin shqiptarëve. Në të gjitha enklavat serbe në Kosovë ekziston një ndërlidhje mes tyre që ka dhe mban formën e pushtetit paralel në Kosovë. Nëpër këto baza ka sistem të mirëfilltë të radiolidhjeve, radioamaterëve e sisteme tjera komunikimit. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shërbimet sekrete serbe, në shumë pjesë të Kosovës, kanë aktivizuar edhe strukturën e “spiunëve të fjetur”.

 

Grupet kriminale serbe që operojnë në Veri

nën omrellën e MUP’it dhe BIA’s serbe!

 

     Gjatë trazirave në veriun e Mitrovicës (2008 - 2010), në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë vërejtur edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale për Veprime Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, sidomos nëpër enklava serbe. Pjesëtarët e kësaj njësie kanë qenë të përqendruar edhe në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), në pjesën e kufirit me Kosovën dhe me Maqedoninë. Mësohet se, Eprorët e këtij formacioni kriminal kanë pasur kontakte të vazhdueshme me të ashtuquajturat “Shtabe të Mbrojtjes Territoriale”, përkatësisht “Shtabe të Krizës” në veri të Kosovës dhe në enklavat serbe, të cilat në shumicën e rasteve përbëhen nga rezervistë të Ushtrisë Serbe dhe pjesëtarë të JSO’së (njësive për operacione speciale). Disa prej tyre operojnë në kuadër të të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit”, e cila i ka shtrirë celulat e veta në disa pjesë të Kosovës, siç i ka bërë publike në disa komunikata kjo organizatë. Duke pasë parasysh këtë superstrukturë të organizuar kriminale në Kosovë, është i çuditshëm, vendimi i institucioneve të Kosovës për formimin edhe të 14 nënstacioneve të reja policore, 12 prej të cilave në vendbanimet me shumicë serbe. Me këtë projekt brenda strukturave të Policisë së Kosovës, janë futur edhe shumë pjestarë të MUP’it serb.

    Tashmë dihet mirëfilli se të gjitha grupet kriminale serbe që veprojnë në Kosovë, janë të lidhur më shërbimin sekret BIA dhe MUP’in serb prej të cilëve edhe i marrin direktivat operative. Me këtë rast po i përmendi disa grupe kryesore: Grupet „Car Lazari“, „SNP 1389“, „Nacionalni Stroj“, „Ultra Boys“, „Brdjani“ pastaj Grupi kriminal “Zveçanci” nga Zveçani, dhe “Mitrovçanci” nga Mitrovica veriore etj. Grupi “Zveçanci” vepron në tri grupime më të vogla siç janë: “Canzve Force”, “Elit Delije Sever” dhe “Extrem Boys”. Në Veri vepron edhe një organizatë kriminale e qujatur „Obraz“ që udhëhiqet nga Igor (Blagota) Vojinoviç. Igori ka lindur në Novi Sad më 28. 04. 1973 dhe banon në Rr. “Rudjer Boskovic” nr. 7 në Mitrovicë, ku edhe është ligjerues i lendës së historisë në Univerzitetin e Mitrovicës veriore dhe për aktivitete kriminale mbanë lidhje të ngushta edhe me organizatat “1389” dhe “Car Lazar” që veprojnë brenda në Serbi.

 

Libreza e shefit të organizatës kriminale “Obraz” - Igor  Vojinoviç (Srbski Cetnici)

     Në të gjitha këto zhvillime, ishte i përfshirë edhe koloneli Dragan Terziq, i cili zyrtarisht mban postin e këshilltarit policor në Drejtorinë Koordinuese për Kosovën. Siç bëhet e ditur, Terziq komandon me policinë serbe në Kosovë, kurse me “Mbrojtjen Territoriale” komandon koloneli Radisav Janiqijeviq. Nga të dhëna të publikuara me kohë në media, del se në Mitrovicë, në tri-katër vende ka pasur depo armatimi, të dedikuara posaçërisht për këto struktura. Sensibilizimi i situatës për veprimet e lartpërmendura është bërë edhe nga Marko Jakshiq, Kryetrar i “Kuvendit të komunave dhe lokaliteteve serbe në Kosovë”, ndërsa Millan Ivanoviqi ishte kryetar i “Këshillit Nacional Serb për Veriun e Kosovës”, njëkohësisht njëri ndër drejtuesit e spitalit regjional në veri të Mitrovicës. Të gjitha këto Struktura kriminale janë prodhues të dhunës dhe destabilitetit në Kosovë.

 

Partneriteti i UNMIK’ut me strukturat

kriminale serbe në Veri!

 

     Mësohet se gjatë gjithë kohës, UNMIK’u ka vazhduar të ketë një partneritet të çuditshëm me udhëheqësit e strukturave serbe në veri të Kosovës, duke i konsideruar ata si përfaqësues legjitim të serbëve të Kosovës. Gerard Galluçi, një administrator i UNMIK’ut në Mitrovicë, hapur bashkëpunonte me kriminelët serbë në veri, duke u treguar kështu si një nga figurat më destruktive të UNMIK’ut, dhe duke qenë i tillë - ka penguar çfarëdo nismë për normalizimin e gjendjes në veri. Me këtë rast vlen të theksohet shpërfillja e informatave të inteligjencës, të dhëna nga Selia e UNMIK’ut disa ditë para shpalljes së pavarësisë, mbi synimet e radikalëve serbë për t’i shkatërruar pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinë dhe Bërnjakë. Gerard Galluçi ishte ai i cili parandaloi çfarëdo masash paraprake, duke pohuar që të dhënat e tilla të inteligjencës ishin false, dhe “garantonte” se serbët nuk do të rebelohen. Por, siç dihet, pikat kufitare u dogjën më 19 shkurt 2008, dhe që nga atëherë shërbimi i doganave në veri nuk funksiononte në suazat normale ligjore. Doganat e Kosovës u zhvendosën në jugun e Mitrovicës, dhe kjo ka bërë që të rritet dhe të lulëzojë krimi ekonomik në këtë zonë dhe jashtë saj. Pa dyshim që këto aktivitete kriminale fillonin në Beograd dhe përfundonin në Prishtinë. Pas shpalljes së pavarësisë, strukturat paralele serbe me përkrahjen e qeverisë serbe dhe ndihmën e shërbimeve sekrete në teren kanë organizuar edhe bojkote ndaj institucioneve të Kosovës, si Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), sistemit gjyqësor të Kosovës, administratës komunale në Mitrovicë, Doganës së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Hekurudhave të Kosovës.

 

Funksionimi i gjykatave serbe në Veri të Kosovës!

 

Gjykata për Kundërvajtje, Gjykata Komunale dhe Gjykata e lartë në Mitrovicën veriore

 

     Në veri të Kosovës funksionojnë pa u penguar nga askush edhe gjykatat serbe me ligjet dhe Kushtetutën në fuqi të Republikës së Serbisë! Gjykata për kundërvajtje në Mitrovicën veriore (Kosovska Mitrovica) që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Serbisë dhe që i zbaton ligjet e Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës punon në këtë adresë: rruga “Nemanjina “ nr. 48, 38220 Mitrovica e Kosovës. Kryetare e kësaj gjykate është Tatjana Virijeviç e cila ka këtë nr.telofoni 028 / 497 - 050 dhe palët i pranon çdo ditë nga ora 08:00 - 15:00. (Për më tepër lexoni: Prekršajni sud u Kosovskoj Mitrovici). Në veri të Kosovës funksionon normalisht, pa u penguar nga askush edhe Gjykata e lartë e Mitrovicës me seli në Zveçan në rrugën “Karadjordjeva p.n” 38224. me numër të telefonit 028-665 103. Kryetar i Gjykatës është Nikola Kabashiç dhe punon çdo ditë nga ora 7:30 - 15:30. (Për më tepër lexoni: Viši sud u Kosovskoj Mitrovici)  Gjykata Komunale e Leposaviqit vepron në adresën: rruga“Nemanjina“ p.n. dhe me nr. telefonit 028/ 835 06. Gjykata për kundërvajtje në Leposaviq në adresën: rruga “Leposaviç Selo“ p.n. dhe me numër të telefonit. 028 / 83223, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës selinë e saj e ka në adresën “Kralja Petra I“ nr. 90 dhe nr.tel. 028 / 421- 944.

( … )

 

Shikoni e lexoni dokumente të MUP'it

serbë që vepron në Kosovë!

 

 

 

 

.

powered by Beepworld