POLITIKANËT MILIONERË NË KOSOVËN E VARFËR!

 

     Faik Konica, në kohën e tij, duke e parë Shqipërinë të katandisur në varfëri e mjerim nga regjimi i Ahmet Zogut, para parlamentarëve të këtij oborri kishte thënë: ”Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa po ikni me pasuri përrallore”, dhe duket se këtë rrugë po e ndjek edhe oborri i politikanëve të sotëm! Në këtë kuadër, mund të thuhet se, profesioni më fitimprurës në Kosovë është politika. Ky fakt, të paktën sipërfaqësohet nga të dhënat e Agjencisë Kundër’ korrupsion’it, e cila vlerëson se çdo i dhjeti pretendent për të hyrë në Kuvend nga partitë më të mëdha politike PDK’LDK’AAK, janë milionerë! Disa nga këta politikanë’milionerë tashmë janë bërë edhe pjesë e legjislativit, ekzekutivit etj. Në një vend, ku mbi gjysma e popullatës është e papunë dhe skajshëmrisht e varfër, është paradoksale të ketë kaq shumë milionerë. Jam i bindur se Komandanti legjendar Adem Jashari dhe mijëra bashkëluftëtarë të tij: dëshmorë e të gjallë, nuk kanë luftuar për një Kosovë të tillë!!!

 

(Moderatori i www.pashtriku.org, 17. 07. 2011)

 

( Lexoni: këtu një dimension të politikës )

.

 

 

 

GREVA DHE „MORALI“ I PUSHTETARËVE!

 

     Sot, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në ditën e 52’të të grevës para ndërtesës së Qeverisë, me kërkesën themelore për miratimin e ligjit me të cilin do të njiheshin vlerat e luftës sonë çlirimtare. Për shkak të injorimit që po iu bëhet atyre nga institucionet e Kosovës dhe premtimit të vazhdueshëm, se, së shpejti do të miratohet ligji për statusin dhe të drejtat e tyre në Kuvendin e Kosovës, grevistët kanë parlajmëruar për fundjavë (të premten) një protestë paqësore para selisë së Qeverisë, dhe më pas do të rikthehen në grevë...

 

 

 

Shkruan: Sheradin Berisha, 13 korrik 2011

 

Cili është „Morali“ i pushtetarëve?!

 

     Nga zhvillimet politike të pasluftës në Kosovë kam arritur të kuptoj se politikanët s’kanë asgjë të përbashkët me moralin. Madje jam bindur, se pushtetarët tanë nuk i përmbahen fare moralit, sepse po të jetë e kundërta, pozita e tyre udhëheqëse nuk do të ishte e qëndrueshme as afatgjate. Gjithashtu, kam mësuar, edhe se, ai i cili dëshiron të udhëheq, duhet të dijë të mashtrojë, të gënjej, të  manipulojë, të jetë intrigantë, skajshmërisht i pandërgjegjshëm dhe të shtiret se po punon për të mirën e të gjithëve. Dhe, njerëzit e thjeshtë (ata që mashtrohen) fjalët e tyre i marrin gjithmonë si vepra. Ata vazhdimisht janë kënaqur me sipërfaqësoren (me fjalët e bukura), dhe rrallë kush e ka vrarë mendjen se përfaqësuesit e tyre i përmbahen apo jo premtimeve të dhëna. Në këtë kontekst duket se, ndershmëria dhe sinqeriteti, si dy cilësi substanciale të njeriut, në politik’bërjen e tyre s’kanë asnjë vlerë.

 

Kur qante me zë luftëtari i orëve të para të UÇK’së?!

 

     Për të faktuar me këtë rast cilësitë “morale” të këtij soji pushtetarësh, në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së, që ka evidentuar në zyrën e tij, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.

 

 

     Ja se, çka shkruan Behxhet Shala, lidhur me këtë rast?!

     “A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim’ bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë - komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” - shkruan Behxhet Shala. Kjo është e tmerrshme, tmerrsisht e tmerrshme!

 

Kategoritë e luftës së UÇK’së janë lënë nën mëshirën e fatit!

 

     Edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare (e cila tashmë po cilësohet si konflikt i armatosur!!!), kategoritë më të nëpërkëmbura të shoqërisë sonë, vazhdojnë të jenë familjet e dëshmorëve, të invalidëve dhe ata të veteranëve të UÇK’së, statusi i të cilëve akoma nuk është rregulluar me ligj. Këto familje (veçanërisht veteranët e luftës), që sakrifikuan çdo gjë për të mirën e këtij vendi, gjatë kësaj kohe (nga të gjitha qeveritë) janë lënë nën mëshirën e fatit, pa përkujdesje ligjore. Këto kategori, për rregullimin e statusit të tyre, disa herë kanë kërkuar miratimin e ligjit për vlerat e luftës së UÇK’së. Madje, për këtë qëllim edhe kanë protestuar, kanë bërë grevë urie (në prill 2009) dhe për më tepër kanë hedhur edhe koktej molotovi në ndërtesën e qeverisë së Kosovës (në verën 2010) në shenjë revolte e pakënaqësie për zvarritjen e kësaj çështjeje.

 

 

Qëllimi dhe fushëveprimi i projektligjit për statusin dhe të drejtat

e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve të UÇK’së…

 

     Si rezultat i këtyre pakënaqësive, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, kanë bërë një lëvizje breshke në këtë drejtim. Bazuar në „Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të nxjerrë më datën 15 maj 2003, për Luftën Çlirimtare të Popullit të Kosovës për Liri dhe Pavarësi“, Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të datës 07. 09. 2010, me 75 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, ka miratuar në parim projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të UÇK’së, të viktimave civile dhe të familjeve të tyre. Duke e ditur, interesimin e madh të familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK’së etj., në javën e parë të tetorit 2010 nga një burim imi brenda Kuvendit të Kosovës, e kam siguruar këtë projektligj.

 

 

     Në nenet 1, 2 dhe 26 të projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të UÇK’së, të viktimave civile dhe të familjeve të tyre, shkruan:

 

 

  

 

     Qëllimi i ligjit:

    nenin 1 të projketligjit thuhet: „Qëllimi i nxjerrjes së këtij Ligji është përcaktimi i statusit dhe përkrahja financiare përmes pensioneve dhe beneficioneve të veçanta për kategoritë e dala nga lufta e UÇK’së, të cilat me sakrificën dhe kontributin e tyre ishin faktorë vendimtarë për lirinë dhe çlirimin e vendit“.

 

    Fushëveprimi i ligjit:

    nenin 2 përcaktohet fushëveprimi i këtij ligji.

    Aty thuhet:

1.Me këtë Ligj rregullohet dhe përcaktohet:

1.1.Statusi i dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK’së, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK’së dhe anëtarëve të familjeve të tyre;

1.2.Të drejtat dhe beneficionet e posaçme për anëtarët e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, familjeve të veteranëve dhe invalidëve të vdekur, pjesëtarëve të UÇK’së të marrë peng ose të zhdukur dhe anëtarëve të familjeve të tyre, si dhe  procedurat administrative për realizimin e këtyre të drejtave;

1.3. Statusi dhe të drejtat e viktimave civile, invalidëve civil të luftës dhe familjeve të të marrurëve peng dhe të zhdukurve civil të luftës.“

 

 

     Hyrja në fuqi:

     nenin 26 (të fundit) thuhet, se:

“Ky Ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga publikimi në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa do të zbatohet nga 01. 01. 2011.“

 

 

 

Lexoni të plotë këtë Projektligj:

 

 

Zotimi i Hashim Thaçit: “Nga 1 janari 2011 ligji fillon të zbatohet“ dhe kriza institucionale!

 

     Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi qysh në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur më 5 gusht 2010 (d.m.th akoma pa u miratuar në parim ky projektligj në Kuvendin e Kosovës), ishte zotuar se ky ligj do të fillojë të zbatohet prej 1 janarit të vitit 2011. Duke prezantuar para kabinetit qeveritar Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK’ës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, Hashim Thaçi me këtë rast është shprehur se ky ligj ka një kosto të lartë buxhetore, por nuk duhet harruar se edhe sakrifica dhe flijimet për lirinë e Kosovës ishin shumë të mëdha. “Kosova është krenare që kishte djem dhe vasha që bënë luftën për çlirimin e Kosovës, dhe nuk duhet të harrojmë se në Kosovë çdo qytetar ishte luftëtar i lirisë dhe çdo qytetar ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Përpjekjet tona për liri kanë qenë të gjata dhe të gjithë ata që u angazhuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës, sot po marrin përkujdesin ligjor dhe institucional”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Madje, Drejtori i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK’së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, në një prononcim për kosovapress’in (gusht 2010), kishte garantuar se Qeveria i ka siguruar të gjitha mjetet, që ligji të fillojë të zbatohet në afatin e paraparë. (!!!)

 

     Mirëpo çka ndodhi gjatë muajve shtator - dhjetor 2010?!

     Në mënyrë të habitshme u shkatua një krizë institucionale, sipas parimit “vënja e rendit të ri nga krijimi i krizave” bazuar në doktrinën hegeliane “Teza - antiteza - sinteza”... Më 27 shtator 2010 Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai paska bërë shkelje të Kushtetutës, të asaj kushtetute që u ratifikua në 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi në 15 qershor të të njëjtit vit. Është e çuditshme! Fatmir Sejdiu po bënte shkelje kushtetuese (duke i mbajtur dy poste) qysh nga qershori 2008, dhe edhe pse këtë nonsens e dinin të gjithë faktorët relevant politik - vendor e të huaj, kishin zgjedhur heshtjen, për ta shpërthyer këtë krizë në një kohë të përshtatshme për „menaxhuesit e krizave“ në Kosovë!!! Kjo krizë është thelluar edhe më shumë më 18 tetor, kur zëvendëskryeministri R.Manaj, ministrat dhe zëvendësministrat e LDK’së tërhiqen nga qeveria, ndërsa më 2 nëntor 2010, përfundimisht (me një mocion mosbesimi të bërë nga AKR, e cila aktualisht është në koalicionin qeverisës me PDK’në) me 66 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Po atë ditë ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës dhe ka shpallur zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor të këtij viti. (Shikoni materialin: Bie qeveria thaçi!) Zgjedhjet u mbajtën, u ripërsëritën ato në disa komuna - për shkak të manipulimit dhe vjedhjeve të shumta, madje edhe brenda vetë partive (Lexoni: vjedhjet në PDK) dhe në fund koalicioni alla - dellçe PDK’AKR’ Minoritetet, formuan institucionet, të cilat përkundër krizave të shkatuar rreth presidentit Behgjet Pacolli - Atifete Jahjaga etj., sot qeverisin me Kosovën. (Lexoni: Presidenti i SMS’ve B.Pacolli dhe presidentja e Zarfit A.Jahjaga etj. & Prapaskenat e zgjedhjes së Pacollit )

     Ndonëse Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës (i legjislaturës së kaluar) ishin zotuar se, Ligji për kategoritë e luftës së UÇK’së do të hyjë në fuqi nga 01 Janari 2011, kjo gjë s’ndodhi, ata u arsyetuan duke e bërë “fajtor” krizën institucionale.

     A ishte kriza institucionale ajo që e pamundësojë miratimin e ligjit në Kuvend?!

     Unë them jo, për faktin sepse nga janari gjer më sot (11 korrik 2011) kanë kaluar afër gjashtë muaj e gjysëm dhe pushtetarët kanë pasur koha ta procedojnë këtë ligj për miratim në Kuvendin e kosovës, por s’e kanë bërë, ndërkohë që nga java në javë kanë përsëritur slloganin premtues “së shpejti ky ligj do të procedohet në Kuvend”!

 

Luftëtarët e UÇK’së në grevë: “Duam miratimin e ligjit për vlerat e luftës së UÇK’së”

 

     Për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë totale të institucioneve të Kosovës në raport me familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK’së..., Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK’së me në fund kishte marrë vendim për organizimin e një greve përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

 

     Në orën 15:00 të datës 23 Maj 2011, ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më herët, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK’së, 40 ish’ushtarë të UÇK’së (gjatë ditëve vijues ky numër do ta kaloj numrin 100) hynë në grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Grevistët kanë ngritur tenda shumë afër grilave që rrethojnë objektin e Qeverisë, midis dy hyrjeve të objektit. Brenda tyre, qëndronin ish’luftëtarët e UÇK’së, në mesin e të cilëve kishte edhe të moshuar. Kërkesa kryesore e grevistëve është të miratohet Ligji për vlerat e luftës së UÇK’së dhe përfundimisht familjeve të dëshmorëve, inavalidëve dhe veteranëve të luftës t’u kthehet dinjiteti i tyre i nëpërkëmbur. Ylber Selmani, njëri nga anëtarët e këtij këshilli, ka thënë se në Kosovë po vazhdon përpjekja e organizuar institucionale, ndërkombëtare dhe vendore për varrosjen përfundimtare të trashëgimisë së luftës sonë çlirimtare. Me këtë rast përfaqësuesit e KMDL të UÇK’së i kanë ftuar të gjithë ish’luftëtarët e UÇK’së që t’i bashkëngjiten grevës. Një ditë para fillimit të grevës, Organizatat e dalura nga lufta e UÇK’së (OVL e UÇK’së), nëpërmjet një komunikate kanë deklaruar se nuk përkrahin këtë grevë, sepse „janë në angazhim permanent në çështjen e miratimit të ligjit për vlerat e luftës së UÇK’së…“.

(Shikoni materialin si ka fillur greva: http://www.youtube.com/v/nnhfkieECp4 )

     Edhe pse tenda e grevistëve ndodhet para ndërtesës së Qeverisë, asnjë zyrtarë i saj nuk është kthyer për t’i vizituar ata. Madje, Qeveria as në mbledhjen e së mërkurës (më 26 Maj, tri ditë pas fillimit të grevës) nuk e ka zënë në gojë fare grevën e nisur në hyrje të ndërtesës. Memli Krasniqi në konferencë për media ka thënë vetëm, se, nuk i takon Qeverisë të merret me këtë ligj, por është në dorën e Kuvendit miratimi i tij!!!

 

KMDLNj mendon se kërkesat e grevistëve janë të ligjshme

dhe ato duhet të merren parasysh nga institucionet e Kosovës. 

 

     Ndër të rrallët që i kanë vizituar grevistët, janë përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, dhe shumë qytetarë të ardhur nga anë të ndryshme të Kosovës. Më 24 Maj, Zyrtarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë vizituan grevistët, dhe u informuan për gjendjen shëndetësore të grevistëve dhe për kërkesat e tyre. Më këtë rast Zyrtarët e KMDLNJ’së u informuan për gjendjen e grevistëve dhe për kërkesat e tyre. Sipas grevistëve kërkesë kryesore e tyre është përshpejtimi i nxjerrjes së Ligjit për vlerat e luftës së  UÇK’së dhe kthimin e dinjitetit të veteranëve të luftës. KMDLNj mendon se kërkesat e grevistëve janë të ligjshme dhe ato duhet të merren parasysh nga institucionet e Kosovës. KMDLNJ konstaton me të drejt se gjendja e ekonomike dhe sociale e kësaj kategorie është e rëndë. Atyre u duhet përkrahje me e madhe institucionale për të përballuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale. Kjo çështje duhet të zgjidhet sipas praktikave dhe standardeve të vendeve që janë ballafaquar me këto kategori. - ka vlerësuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Zyrtarë të KMDLNJ’së edhe të nesërmen më 25 maj, vizituan grevistët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. KMDLNJ me këtë rast ka parë se gjendja shëndetësore e grevistëve ishte rënduar. Sidomos ishte rënduar gjendja shëndetësore e Kryetarit të KMDL të UÇK’së z. Xhevdet Qeriqi. Z. Qeriqi atë ditë ishte vizituar edhe nga mjekët dhe ishte nën trajtim mjekësorë. - ka raportuar KMDLNJ.

 

Deputetët kërkuan ndërprerjen e grevës, ndërsa grevistët u shprehën të vendosur

në vazhdimin e saj gjer në realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme.

 

     Të premten, më 27 Maj, (në ditën e pestë), grevistët i ka vizituar një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, si: Ramiz Lladrovci e Latif Gashi i PDK’së, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, Myzeine Selmani i AKR’së, Armend Zemaj e Anton Çuni i LDK’së dhe Ahmet Isufi i AAK’së. Ata kanë kërkuar nga grevistët që ta ndërpresin grevën, duke ju premtuar se, Ligji për vlerat e luftës së UÇK’së do të aprovohet deri më 30 qershor, por grevistët meqë janë lodhur nga premtimet e dhëna, deputetëve ju kanë thënë, se gjer më 30 qershor do të jemi këtu dhe nuk do ta ndalim grevën.

 

     Këshilli grevistë, ka përsëritur qëndrimin e tyre se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën derisa të realizohen kërkesat e tyre. Anëtari i Këshillit grevist, Ylber Selmani, (në ditën e gjashtë të grevës) në një konferencë me gazetarë, ka deklaruar: “Ne, luftëtarët e lirisë, që jemi në grevë edhe një herë u drejtohemi të gjitha institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk e ndërpresim grevën deri në realizimin e plotë të kërkesave tona. Nuk besojmë më në asnjë marrëveshje gojore dhe nuk lejojmë që kjo çështje të zvarritet. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që me procedurë të përshpejtuar të sillet në Kuvend projektligji për vlerat e luftës. Sa më shpejt që të jetë e munduar të miratohet ligji duke i marrë parasysh kërkesat tona”.

 

   Ndërkaq, kryetari i këtij këshilli, Xhevdet Qeriqi, ka bërë të ditur se gjendja e disa veteranëve në grevë është përkeqësuar. “Sot kemi pasur gjashtë raste që kanë kërkuar ndihmën e mjekut, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Për momentin gjendja është e rëndë”, ka thënë Qeriqi. Pos kërkesës që urgjentisht të miratohet dhe zbatohet ligji për kategoritë dhe vlerat e luftës, ata parashtruan edhe kërkesa të tjera, si: UÇK’së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike duke e bërë si kategori kushtetuese; veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes, e jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe të mos kenë ndjekje penale për krime lufte.

( Shikoni materialet filmike, në ditën e gjashtë të grevës: http://www.tellalli.com/video/top-channel/veteranet-e-uck-ne-greve-video_c77ffddd0.html dhe http://www.youtube.com/v/BTb40sk4J2U )

 

Takimi i Jakup Krasniqit me zyrtarë të FMN’së

 

     Më 28 Maj, derisa para ndërtesës së Qeverisë vazhdonte greva e veteranëve të UÇK’së, në kërkim të miratimit të Ligjit për vlerat e luftës, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, e ka pritur në një takim kryesuesin e delegacionit të FMN’së, Johanes Uiegand, përfaqësuesin e FMN’së për Kosovën, Jose Sulemane, si dhe ministrin e Financave, Bedri Hamza, me të cilët është diskutuar lidhur me çështjen e Ligjit për vlerat e luftës, dhe të ish të burgosurve politikë, me theks të veçantë për përfitimet që kjo kategori do t’i këtë në të ardhmen. Sinjalet që kanë dhënë zyrtarët e FMN’së në takimin me kryetarin e Kuvendit, nuk dhanë shenja pozitive në këtë drejtim.

 

Gjendja e rënduar shëndetësore e grevistëve dhe revolta e tyre ndaj qeverisë!

 

     Më 30 Maj, monitoruesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë vizituan grevistët dhe pas vizitës përmes një komunikate për media kanë vlerësuar se “gjendja shëndetësore e grevistëve vazhdon të jetë e rënduar si pasojë e kushteve në të cilat ata janë duke e mbajtur grevën”. Përkundër kësaj gjendje alarmante, ata me vendosmëri këmbëngulin të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme. Madje, në ditën e nëntë të grevës, (më 31 Maj) veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë izoluar dhe kanë refuzuar edhe marrjen e ushqimit në shenjë proteste ndaj institucioneve të Kosovës për mosmiratimin e ligjit për vlerat e luftës. Për më tepër ata ndihen skajshmërish të revoltuar, për shkak se ata nuk i kishte vizituar asnjë përfaqësues i qeverisë, duke u nisur nga kryemninistri Hashim Thaçi.

 

Jakup Krasniqi ka vizituar grevistët, kërkon ndërprerejen

e grevës duke premtuar miratimin e ligjit në Kuvend!

 

    Më 3 qershor (të premten) Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ka vizituar veteranët e luftës nga të cilët ka kërkuar që ta ndërpresin grevën. Ai ka premtuar se sapo të vijë ligji në Kuvend, do të procedohet dhe do të miratohet sa më shpejt. Kryeparlamentari Krasniqi gjatë vizitës shoqërohej edhe nga nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputeti i AAK’së Ahmet Isufi.

 

Masovizimi i grevës

 

     Gjatë ditëve në vijim numri i grevistëve është rritur në  100 veta. Grevës ju kanë bashkuar shumë veteranë të UÇK’së nga komuna e Kaçanikut e Malishevës, e Besianës, e Mitrovicës dhe e Vushtrrisë, ndërsa Shoqata e invalidëve të UÇK’së në Therandë, ka mbyllur dyert e kësaj shoqate në shenjë solidariteti me ta. Grevës i është bashkuar edhe Skënder Bajrami, i cili kishte ardhur enkas për këtë qëllim nga Kroacia. Ai rrëfen se gjatë viteve ‘90 kishte veshur uniformën e ushtrisë kroate. Për Skënderin, që dikur kishte qenë edhe ushtar i UÇK’së, Kosova, në rastin e veteranëve, duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë, pasi kroatët kanë marrë shembullin e SHBA’ve, ka thënë Skënder Bajrami.

( Shikoni materialet: Greva e veteranëve të UÇK në ditën e 17

http://video.kosovapress.com/beta/?cid=1,7,25909#video

Greva e veteranëve të UÇK në ditën e 18

http://www.tellalli.com/video/top-channel/greva-e-veteraneve-te-uck-ne-diten-e-18-video_82ba3641c.html

 

Në 12 vjetorin e çlirimit veteranët e luftës e ndjejnë vetën të

vrarë në shpirtë nga iunstitucionet e Kosovës!

 

     Greva e rreth 100 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon tash e 21 ditë, ndërkaq ata ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga institucionet e Kosovës lidhur me kërkesën e tyre për përshpejtimin e ligjit për veteranët e UÇK’së.

     Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK’së dhe anëtar i Këshillit të grevës, thotë se gjendja shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet edhe më shumë dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërprerjes së grevës së urisë, në të cilën kishin hyrë 7 grevistë. “Në grevë gjenden rreth 100 veteranë të luftës. Gjendja shëndetësore e tyre është e keqe, pothuajse në përgjithësi. Katër nga grevistët i kemi larguar për arsye se kanë qenë me gjendje të rëndë shëndetësore. Një prej tyre është me gjendje shumë më të rëndë sesa ata tre të tjerët. Ky edhe ka qenë shkaku për ndërprerjen e grevës së urisë nga ne, si veteranë të luftës”, bën të ditur Qeriqi.

     Përkeqësimin e gjendjes shëndetësore e pohon edhe Bajram Selmanaj, njëri prej grevistëve, por ai thotë se nuk do të tërhiqet nga greva protestuese pa plotësimin e kërkesës së tyre. “Ne jemi të vendosur që deri në realizimin kërkesave tona të qëndrojmë këtu, para Qeverisë dhe le ta shohin që jemi të vendosur, sepse ky ligj ka merituar që i pari të bëhet dhe të realizohet. Këta e kanë lënë të fundit dhe e kanë sjellë gjendjen që luftëtarët, që kanë dhënë edhe gjymtyrët, kanë sakrifikuar, sot të vijnë dhe t’i mbrojnë vlerat e luftës”, thotë Selmanaj.

     Ngjashëm shprehet edhe grevisti tjetër, Faik Gërbeshi: “Kërkesat tona janë të drejta. Kanë shkuar 12 vjet dhe institucionet tona nuk kanë qenë në gjendje që ta miratojnë një ligj të mirëfilltë për mbrojtjen e vlerave të luftës. Unë, sa di dhe sa kam lexuar, dhe kam lexuar goxha shumë, nuk kam vërejtur askund në botë që ka ndodhur që edhe pas 12 vjetësh të mos jenë në gjendje të miratojnë një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës. Askund në botë nuk ndodh kështu, vetëm te ne. Kush është fajtor këtu? Dihet, institucionet tona”.

     Në anën tjetër, 13 ditë më parë, zyrtarët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, patën deklaruar për Radion Evropa e Lirë se draft-ligji për veteranët e UÇK’së ka arritur në Kuvend dhe se shpresojnë që “gjatë qershorit do të bëhet leximi i parë i draft-ligjit, në mënyrë që brenda periudhës dymujore, nëse nuk ka shumë ndryshime apo amendamentime, të kalojë edhe në Parlament”.

     Por, Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu thotë për Radion Evropa e Lirë se draft-ligji për veteranët e UÇK’së nuk ka arritur në Kryesinë e Kuvendit. “Për aq sa jam i informuar unë, në kryesinë e Kuvendit të Kosovës nuk ka ardhur kurrfarë draft-ligji i tillë dhe me sa duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në Komision (Parlamentar për Legjislacion). Kështu që, unë mendoj se kjo ndoshta mund të jetë vetëm një paralajmërim se do të mund të ndodhë. Aktualisht, në kohën kur jemi duke folur, tash për tash, nuk ka diçka të tillë”, deklaron për Radion Evropa e Lirë - Glauk Konjufca.

     Ndryshe, Qeriqi thotë se janë të zhgënjyer dhe të turpëruar nga institucionet e Kosovës, për shkak se ato ende nuk ua kanë dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me atë se çfarë po ndodh me ligjin, për përshpejtimin e të cilit ata po bëjnë grevë. “Sot është 12 vjetori i çlirimit të Kosovës. Ne, si veteranë të luftës, e ndjejmë veten sikur të turpëruar nga institucionet e Kosovës. E ndjejmë veten si të vrarë në shpirtin tonë nga institucionet e Kosovës, për arsye se është një ditë feste për popullin tonë, e fatkeqësisht ne jemi këtu. Do të thotë, nuk kemi asnjë përgjigje nga ta, se përse nuk po miratohet (ligji) ose të na jepet një afat se do të miratohet. Kështu, e ndjejmë veten shumë të zhgënjyer me punën që po e bëjnë në raport me ne”, thekson Qeriqi.

     Sido që të jetë, grevistët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga greva, derisa kërkesa e tyre të plotësohet, pavarësisht nëse kjo çështje do të zgjasë edhe me muaj të tërë.

 

 

Albin Kurti te grevistët: “Ligji për veteranët mbahet i mbyllur në sirtarët e qeverisë…“

 

     Më 13 qershor, grevistët i ka vizituar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili i ka përkrahur kërkesat e tyre duke thënë se ligji që e kërkojnë duhet që sa më parë të miratohet në Parlament. Në një analizë: “Greva midis luftëtarëve” Albini ka shkruar: “Kërkesat e tyre janë të drejta dhe elementare... Ligji për veteranët mbahet i mbyllur në sirtarët e qeverisë dhe nuk lejohet të zbresë në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë. Thuhet se nuk ka mjaft para për veteranët ndërkohë që luksi enorm i qeveritarëve e flet të kundërtën. Pagesat për rrogat e qeveritarëve, qiratë e objekteve qeveritare, shpenzimet e tyre për udhëtime e telekomunikim, si dhe blerja e veturave të shtrenjta e kapërcejnë shumëfish edhe buxhetin që i është ndarë bujqësisë se lëre më koston e këtij ligji... Qeveritarët nuk i vizitojnë grevistët por vetëm sa iu drejtohen atyre përmes mjeteve të informimit duke iu dhënë premtime se ligji do të miratohet pas disa muajve dhe duke kërkuar që ata ta ndërprejnë grevën... Lart në qeveri (nga ndërtesa shumëkatshe - Sh.B) vrapojnë poshtë e lart zyrtarë të pispillosur me kostume të lëmueshme që ndoshta kushtojnë më shtrenjtë se rrogat e tyre. Ata nuk i heqin nga dora celularët e shtrenjtë dhe buzëqeshjen plastike thuajse janë duke xhiruar një reklamë që s’përfundon kurrë sepse ajo është vetë jeta e tyre. Ashtu me të rrallë teksa ua hedhin shikimin luftëtarëve grevistë (në hyrje të ndërtesës - Sh.B) atë rregullisht e shoqërojnë me tundje koke dhe me komentin kujdestar se kjo pamje atje poshtë gjithsesi e dëmton imazhin e Kosovës.”

 

Institucionet premtojnë se gjatë qershorit ligji do të kalojë në Parlament!

 

     Derisa grevistët vazhdojnë të qëndrojnë në tendat e tyre përballë ndërtesës së Qeverisë, drejtuesit institucionalë mbesin prapa premtimeve të dhëna se ekzekutivi është duke punuar për procedimin e Ligjit për vlerat e luftës në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Parlamentar për Legjislacion, në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se draft’ligji për veteranët e UÇK’së ka arritur në Kuvend dhe se gjatë qershorit do të bëhet leximi i parë i tij në mënyrë që brenda periudhës dymujore, nëse nuk ka shumë ndryshime apo amendamentime, të kalojë edhe në Parlament. Edhe pse gjysma e muajit qershor po kalonte ky draft’ligj akoma s’ka nisur të procedohet në Kuvend!!! Ndërkaq, edhe Hajredin Kuçi, numri dy i ekzekutivit (atë ditë kur Albini ishte te grevistët), ka ripërsëritur qëndrimin e tij, se Ligji për vlerat e luftës njëherë është proceduar në Kuvend dhe po bëhet gati për t’u proceduar sërish, ndërkohë që i ka ftuar grevistët për mirëkuptim dhe ndërprerje të grevës. Sa i përket mungesës së vizitës së përfaqësuesve të Qeverisë te grevistët, Kuçi e ka arsyetuar me vizitën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Kaq!

 

Jakup Krasniqi: Ndërpreni grevën se ligji për vlerat e luftës shumë shpejt do të vijë në Kuvend!

 

     Më 15 qershor, Këshilli grevistë ka bërë të ditur se kanë pasur edhe një takim me kryetarin e kuvendit Jakup Krasniqi, ku ai ka kërkuar nga grevistët që ta ndërpresin grevën, duke u thënë se ligji për vlerat e luftës shumë shpejt do të vijë në Kuvend. Lidhur me këtë takim, Nesret Salihu, anëtar i këshillit grevist, ka deklaruar se: “Kemi pasur një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi pak me herët. Ai na ka njoftuar që ligji ende nuk ka ardhur në parlament. Na ka premtuar që në momentin që do të vijë në parlament ne do ta aprovojnë këtë ligj. Ka kërkuar prej neve që të largohemi prej tendave, mirëpo ne nuk e kemi parë të arsyeshme derisa nuk është në duart e parlamentit ligji për mu tërheq prej grevës”, ka thënë Salihu. Deri më atëkohë veteranët grevistë i ka vizituar kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, disa prej deputetëve dhe shumë ish’ushtarë të UÇK’së dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, por jo edhe kryeministri apo ndonjë zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

 

KMDLNJ sërish te grevistët

 

     Më 16 qershor, zyrtarë të KMDLNJ’së kanë vizituar sërish grevistët dhe përmes një kumtese, kanë bërë të ditur se, “gjendja shëndetësore e grevistëve është stabile me gjithë lodhjen që kanë, me përjashtim të një grevisti i cili, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes është shtruar në spital. Gjendja e tij, sipas mjekëve është e rëndë, dhe në lidhje me këtë rast kreu i grevistëve ishte takuar me Ministrin e Shëndetësisë, z. Agani…Grevistët janë në pritje të ndonjë informate për ligjin nga Kuvendi i Kosovës. Sipas tyre, ata janë të gatshëm të bisedojnë për afatizimin e zbatimit të këtij ligji në momentin kur Qeveria e dërgon projekt ligjin në Kuvend”, thuhet në kumtesën e KMDLNJ’së.

 

Hajredin Kuçi: “Në fillim të javës së ardhshme procedohet ligji në Qeveri”

 

     Më 17 qershor (ditë e premte) derisa asnjë nga zyrtarët qeveritarë s’ka dalë t’i takojë grevistët në hyrje të ndërtesës, apo t’i ftojë në një takim brenda (në ambientet e ndërtesës), zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka gjetur kohë t’i takojë përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK’së ( Dostat e Qeverisë - kështu janë cilësuar nga opinioni publik), ata të cilët janë pozicionuar qysh ditën e parë kundër mbajtjes së grevës nga bashkëluftëtarët e tyre. Hajredin Kuçi me këtë rast i ka informuar ata, rreth përgatitjes së Ligjit për vlerat e luftës... Gjatë konferencës me gazetarë, të mbajtur pas takimit, kishte shumë pyetje nga gazetarët për zëvendëskryeministrin Kuçi, si dhe kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK’së, Xhavit Jashari. Por si duket disa anëtarëve të organizatës, nuk u pëlqenin pyetjet e gazetarëve, dhe të tillat i vlerësonin si provokuese. Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka proceduar Ligjin për vlerat e luftës, ligji i cili përfshin edhe familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, viktimat civile dhe personave të pagjetur. Sipas tij, ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës në parim apo në lexim të parë, por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit është kthyer prapë në qeveri. Duke shtuar se ky ligj ka qenë edhe në strategjinë legjislative dhe është punuar me kujdes dhe në koordinim me shoqatat e dala nga lufta. Kuçi ka shtuar se është arritur marrëveshje edhe me drejtuesit e këtyre shoqatave, që në fillim të javës së ardhshme të procedohet ligji në Qeveri dhe pastaj në Kuvendin e Kosovës për miratim. “Kemi arritur gjitha marrëveshjet, gjitha sugjerimet dhe unë besoj që pas procedimit në fillim të javës, të kemi procedim dhe mirëkuptim edhe në Kuvendin e Kosovës për miratim sa më të shpejt dhe implementim të tij”, ka thënë Kuçi.Tani jemi muajin në korrik, dhe ky ligj akoma s’është proceduar në Kuvend!!!

 

     I pyetur nga mediat përse asnjë nga zyrtarët qeveritar nuk ka takuar ish’luftëtarët që janë në grevë, Kuçi sërish ka përsëritur deklaratën e dhënë ditë më parë, se ata i ka takuar kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe për të ka qenë e mjaftueshme.

     Nga ana tjetër, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK’së, ka thënë, se: “Presim procedimin në Parlamentin e Kosovës dhe mbetet çështje e Parlamentit, sidomos atyre të cilët në një formë nxitnin ata, të cilët janë futur në grevë pa dashur të merrem me ta, sepse ata nuk përfaqësojnë askënd, vetëm vetveten e tyre. Mirëpo edhe ata do të kenë, edhe ata deputetë, edhe njerëz të politikës, të cilët ju qëndrojnë prapa tyre, do të kenë mundësin që të japin kontributin e tyre në Parlamentin e Kosovës”. (Në këtë rast Jashari aludon në deputetët e Lëvizjes Vetëvendsosje se e kanë nxitur grevën)

     Ndaj deklaratës së Xhavit Jasharit ka reaguar Këshilli Drejtues i grevistëve. Nysret Salihu, anëtar i këshillit të grevistëve, ka thënë se grevistët nuk janë nxitur nga askush, por janë të indinjuar me zvarritjen e miratimit të ligjit tash e 12 vjet. Veteranët sipas Salihut nuk kanë dalë për të kërkuar kushte ekonomike, por ata po kërkojnë identitetin e tyre, ndërsa lidhur me deklaratën e Xhavit Jasharit, se disa veteranë mund të mos kenë qenë luftëtarë, ai thotë se Jashari nuk mund ta luajë rolin e zëdhënësit të shoqatave të dala nga lufta, pasi që ai përfaqëson një shoqatë që nuk ka të bëjë me veteranët e luftës. Madje, për z.Jashari thuhet se gjatë luftës ka qëndruar në Slloveni.

 

Në ditën e 26’të Hashim Thaçi i takon drejtuesit e grevës dhe ju premton

se prej ditës së hënë ligji do të kalojë në Parlament!

 

    Në mbrëmjen e 17 qershorit, (pas 26 ditësh nga fillimi i grevës) Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, Xhevdet Qeriqi ka thënë për Kosovapress’in: “Të premten mbrëma kemi pasur takim me kryeministrin Thaçi. Premtimi ka qenë që do të thotë prej ditës së hënë (nga data 20 qershor - Sh.B)  ligji të kalojë në parlament. Ai ka insistuar që ne ta ndërpresim grevën, mirëpo gjatë bisedës me grevistët, këta kanë kërkuar që deri në miratimin e ligjit të qëndrojmë këtu dhe ne jemi këtu duke qëndruar”, ka thënë Qeriqi.

( Shikoni materialin e kosovapress’it: http://video.kosovapress.com/beta/?cid=1,7,26282 )

 

Jakup Krasniqi - konsideron se Greva është e paarsyeshme,

duke garantuar miratimin e ligjit në Parlament!

 

     Më 21 qershor, kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një prononcim për media, bën ndarjen e veteranëve të luftës në dy taborre, ata që përfaqësojnë shoqatat e luftës dhe nuk mbështesin grevën në njërën anë dhe veteranët që janë në grevë tash e tridhjetë ditë, me kërkesën e vetme - miratimin e Ligjit për vlerat e luftës. Madje, Krasniqi e konsideron të paarsyeshme këtë grevë, duke garantuar se do të punohet me seriozitet të shtuar për miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për vlerat e luftës. Jakup Krasniqi ishte takuar dy herë me veteranët grevistë, njëherë i ka vizituar në tendë dhe herën tjetër i ka pritur në zyrën e tij dhe në të dy rastet, ai ka thënë se u ka shprehur të njëjtin mendim, që greva nuk ka nevojë të mbahet, pasi që ligji do të miratohet shumë shpejt. Por, ky ligj, përkundër deklarimeve të përditshme të ekzekutivit dhe legjislativit të vendit, ende s’është proceduar në Kuvend!!! Tashmë  dihet mirëfilli se, Ligji për vlerat e luftës ka vite që qëndron nëpër sirtarët e Kuvendit dhe të Qeverisë pa u miratuar për shkak të rrethanave të ndryshme, ndërkohë që këtij ligji i është bërë leximi i parë në vjeshtën e vitit të kaluar dhe është pritur që të shqyrtohet edhe një herë dhe nga 1 janari 2011 të hyjë në fuqi, por për shkak të “krizës institucionale”, është lënë në harresë.

 

Premtimi i Hajredin Kuçit: se, ligji do të marrë “dritën e gjelbër”

në fillim të kësaj jave, doli e pavërtet!

 

     Më 26 qershor, (në ditën e 35 të grevës) Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK’së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë për Kosovapress se gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më tepër. “Gjendja e grevistëve është keqësuar shumë, sidomos dy ditët e fundit e kemi një gjendje shumë të rëndë. Është dashur që emergjenca të intervenojë sot në orët e para të mëngjesit për tre grevistë dhe i kemi lejuar që të shkojnë në shtëpi të pushojnë të paktën deri të hënën, me gjithë kërkesat tona për arsye se nuk kanë dashur, mirëpo ne kemi kërkuar që të paktën deri të hënën të pushojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Qeriqi.  Ai ndërkaq e ka quajtur të pa arsyeshme vonesën e procedimit të ligjit për vlerat e luftës në Kuvend, me gjithë deklaratat e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se ligji do ta marrë “dritën jeshile”. “Vetë zëvendëskryeministri së bashku me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta tha se ligji do të marrë “dritën e gjelbër” në fillim të kësaj jave. Unë nuk i di arsyet pse nuk është proceduar ky ligj në kuvend. Ne një kopje të ligjit e kemi marrë. Ligji është i gatshëm, kështu që nuk mund t’i kuptojmë arsyet e zvarritjes”, shprehet Qeriqi.

 

     Edhe pse Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte paralajmëruar se Ligji do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Si rrjedhim Grevistët kjo gjë i ka irrituar shumë dhe shprehen mjaft të bindur se pa ose me vizita nga Qeveria e vendit ata nuk do të largohen nga tendat deri në realizimin e kërkesës se tyre të vetme, pra ta kenë Ligjin për vlerat e luftës. Më 28 Qershor (në ditën e 37 të grevës) Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit të ish’luftëtareve të UÇK’së ka thënë për “Kosova sot“ se përkundër të gjithave, ata nuk do të largohen derisa ta kenë Ligjin për vlerat e luftës, edhe nëse kjo grevë do të zgjasë me muaj. “Qysh kemi deklaruar edhe më herët, deklarojmë edhe tani, se grevistët janë të bindur të vazhdojnë grevën përkundër të gjithave. Ne jemi të vendosur që deri në fund ta çojmë këtë punë dhe se mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë së vendit, nëse do t’i përshpejtojnë ato procedura për të cilat po flitet apo jo. Qeveria javën e kaluar pati deklaruar se Ligji do të procedohet në fillim të javës dhe se më pas do të shkojë në Kuvend, mirëpo siç e dini kaloi një javë e tërë dhe se Ligji nuk u procedua”, tha Qeriqi.

 

Xhevdet Qeriqi: „Jemi totalisht të zhgënjyer me qeveritarët“!

 

     Ndonëse Qeveria dhe Kuvendi i kosovës kanë ripërsëritur shumë herë se Ligji do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, një gjë e tillë s’ka ndodhur ende, edhe në ditën e 40’të të grevës. Të zhgënjyer totalisht me këtë shtyrje absurde, grevistët një javë më parë kishin paralajmëruar institucionet që nëse deri në fund të javës s’do miratohet ligji për vlerat e luftës, do të nisin me protesta gjithëpopullore, por me një korrik kryetari i Këshillit të ish’luftëtareve të UÇK’së Xhevdet Qeriqi ka thënë për Kosovapress se kryesia e këshillit ka vendosur megjithatë që të mos ketë protesta, por që të vazhdohet me grevë deri në realizmin e kërkesave.

(Shikoni materialin: http://video.kosovapress.com/beta/?cid=1,7,26609#video )

 

Premtimet e kota të qeverisë:

“ligji do të procedohet shumë shpejt”, “...këtë javë” “...javën që vjen”... !!!

 

     Më 4 korrik 2011, në ditën e  44  të grevës, gjendja shëndetësore e grevistëve vazhdon të jetë e rënduar. Anëtari i Këshillit të grevistëve, Sefedin Zuka, ka thënë se gjendja shëndetësore e veteranëve të luftës është rënduar dukshëm dhe se në orët e hershme të mëngjesit të të shtunës kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Derisa gjendja shëndetësore e veteranëve të luftës së UÇK’së është përkeqësuar edhe më shumë se në ditët e kaluara, Qeveria dhe Kuvendi ende nuk e kanë proceduar ligjin për vlerat e luftës edhe pse kishin premtuar shumë herë, duke thënë se “ligji do të procedohet shumë shpejt”, “...këtë javë” “...javën që vjen”... !!! Më 5 korrik, derisa greva kishte hyrë në ditën e 45, kryeministri Hashim Thaçi në zyrën e tij mbante konferencë me gazetarë. Ndonëse kjo është greva me e gjatë e mbajtur ndonjëherë pas luftës, duket se Hashim Thaçit nuk i ka rënë fare në sy, madje as në mbledhjen e kësaj jave të qeverisë nuk u diskutua çështja e grevistëve.

(Shikoni materialin: greva e veteranëve në ditën e 45’të http://www.youtube.com/watch?v=S-kjlrO8S6E

 

 

FMN’ja ka kërkuar nga Qeveria që të mos zotojë asnjë mjet për kategoritë e luftës çlirimtare!!!

 

     Më 06 korrik 2011, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria që të mos zotojë asnjë mjet për kategoritë e luftës çlirimtare. Gjithashtu njoftohet se përveç kësaj, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë edhe ndryshimin e Ligjit të ri për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. FMN’ja i ka bërë një varg vërejtjesh Qeverisë për premtimet e saja lidhur me beneficionet për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare. Njoftohet se në një letër dërguar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria që të mos zotojë asnjë mjet për kategoritë e luftës çlirimtare. Më 8 korrik 2011 (E premte), në ditën e 47 të grevës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetët kanë kërkuar nga Qeveria që të sjellin me urgjencë Ligjin për veteranët në Kuvend për miratim. Në këtë seancë të Kuvendit u tha, se: “Veteranët kërkojnë trajtim me ligj e jo benificione. Ne duhet të kemi parasysh se në mesin e tyre janë shumë invalidë të luftës, të verbër, me gjymtime trupore, dhe këtë çështje duhet ta trajtojmë me kujdes. Derisa ne bëjmë plane se si do i kalojmë pushimet në vendet ekzotike, veteranët do të përballen me vapën dhe mungesën e higjienës para sheshit”, ka thënë Anton Çuni, në kohën e deklarimeve të lira të deputetëve.

 

Qeriqi: Qeveritarët po na injorojnë sikur me qenë armiq të tyre!

 

     Edhe në ditën e 50’të të grevës (11 korrik) në kërkim të miratimit të ligjit nga Kuvendi, me të cilin do të njiheshin vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi përveç fjalëve premtuese nuk kanë marrë asnjë veprim konkret për ta proceduar këtë ligj në Kuvendin e Kosovës. Injoranca e vazhdueshme që po iu bëhet nga institucionet e Kosovës, veteranët i ka shtyrë që në fundjavë (të premten) të organizojnë një protestë paqësore. Në këtë protestë, pos veteranëve do të marrin pjesë edhe qytetarët, sindikatat e familjarët e martirëve. “Qeveritarët janë duke na injoruar sikur me qenë armiq të tyre e jo sikur njerëz që deri dje kanë qenë me ne - ka thënë Kryetari i KMDL të UÇK’së z.Xhevdet Qeriqi. Jemi njerëz që kemi humbë gjymtyrë për këtë vend e qeveritarët nuk e shohin të arsyeshme as të na vizitojnë, çka mundet me pritë populli prej këtyre njerëzve në qeveri kur neve na e bëjnë kështu - thotë ai. Veteranët përpos vështirësive të tjera, po përballen edhe me vapën përvëluese të korrikut, e cila mund të përkeqësojë dukshëm gjendjen e tyre të dobët shëndetësore. Shpend Rrustemi nga urgjenca mjekësore e qytetit të Prishtinës ka thënë se shumica e veteranëve janë me tension të lartë dhe sëmundje kronike dhe në këto temperatura është problem që të përballohen, sidomos në këto tenda ku ato mund të arrijnë edhe deri në 50 gradë celsius.

 

*  *  *

     Gjatë këtyre 52 ditëve të grevës, më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, është shpërfaqur qartë, injoranca, gënjeshtra, abuzimi, manipulimi dhe mashtrimi nga pushtetarët në raport me luftëtarët e UÇK’së, prandaj sjelljet e tilla të papërgjegjshme ndaj vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të pafalshme!

 

 

.

 

 

S k a n d a l o z e

 

KUSH E FLAKI NË RRUGË FAMILJEN E KOMANDANT TELIT?!

     Këto ditë autoritetet shqiptare kanë flakur nga banesa në rrugë, familjen e Lefter Goxhajt - Komandant Telit. Kjo banesë, (e cila ishte blerë me paratë e UÇK’së, dhe gjatë luftës në Maqedoni është përdorur  për nevojat e saj,) në mars të vitit 2003, i është dhënë familjes së Komandant Telit. Në këtë akt të tmerrshëm e skandaloz është i përfshirë edhe Florin Krasniqi - deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës. (Për detaje tjera më poshtë lexoni letrën e famlijes së Komandant Telit) Familja e Komandant Telit për këtë banesë ka dokumentin origjinal me firmat e tre komandantëve të lartë UÇK’së, si dhe Aktin e blerjes së shtëpisë që Florin Krasniqi e ka „legalizuar“ në emër të Blerim Krasniqit.

 

Florin Krasniqi

___________________________________________________

 

Në vijim ju sjellim këto dokumente:

 

 

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK,

Tanushë - Maqedoni

Tiranë, më 10 Mars 2003

 

V E N D I M

 

     Sot, me datë 10 mars 2003 u mblodhën anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, me pjesëmarrjen e mëposhtme:

     1. Komandant „Hoxha“ Xhezair Shaqiri

     2. Komandant „Sokoli“ Sami Ukshini

     3. Komandant „Kushtrimi“, Harun Aliu

     Në mbledhjen e sotme pasi analizuam shumë probleme të karakterit politik dhe ushtarak, u diskutua dhe për prona të blera në Shqipëri e Maqedoni për nevojat e me paratë e UÇK’së, objekte të cilat janë përdorur gjatë luftës si baza dhe qëndra grumbullimi, armatimi, logjistike dhe strehimi për luftëtarët në ilegalitet.

     Ndër të tjera u vendos që:

     Apartamenti i blerë në Tiranë në emrin Blerim Krasniqi (pseudonim) të kalojë në pronësi të familjes së dëshmorit Lefter Goxhaj, i cili ra në luftë kundër forcave maqedone me 7 gusht 2001.

     Përpilohet ky dokument, më të cilin do të kryhet kalimi i pronësisë së këtij apartamenti rregullisht pranë Zyrës së Regjistrimeve të Pasurive të Paluajtshme Tiranë nga pronari i regjistruar Blerim Krasniqi, në emër të së vesë së dëshgmorit Lefter Goxhaj, znj.Rabije Myrta dhe dy fëmijëve të tij, Letjan Myrta dhe Rexhina Myrta.

 

   Firmat origjinale me nënshkrime:

   Komandant Hoxha - Xhezair Shaqiri,

   Komandant Sokoli - Sami Ukshini,

   Komandant Kushtrimi - Harun Aliu

   dhe vula e Shtabit të UÇK’së.

 

______________________________________________________

 

 

Akti i blerjes së shtëpisë që Florin Krasniqi e ka „legalizuar“

në emër të Blerim Krasniqit!!!

 

 

LETËR E BASHKËSHORTES SË KOMANDANT

TELIT (LEFTER GOXHAJT) PËR OPINIONIN

PUBLIK DHE PËR AUTORITETET SHQIPTARE

NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE MAQEDONI

 

     Ju drejtohem Ju i nderuar Popull im, ju drejtohem Ju, Burra të Luftës bashkluftëtarët e burrit tim. Ju drejtohem të gjithë Juve bashkëkombasit e mi kudo ku ndodheni në trojet etnike dhe gjitha skajet e Globit, të gjithë atyre që e ndjejnë veten shqiptarë dhe atdhetarë. Ju drejtohem Ju, nënave shqiptare që dini ç`është dhimbja, ç`është gjaku i derdhur i bijve për kombin e larine, që edhe ju ta thoni fjalën tuaj. Ju lutem veproni, sepse sot unë, bashkëshortja e dëshmorit të Atdheut Komandant Teli dhe dy fëmijët tanë kemi nevojë më shumë se kurrë për ju.

     Sot unë dhe dy fëmijët e mi të vegjël të mbetur jetimë, në gjendje të papunë e pa përkrahje, jemi tragjikisht në rrugë të madhe, diku në Tiranë pranë Bulevardit “Bajram Curri”. Pa çati mbi kokë dhe me lot në sy po na merret nëpër këmbë dinjiteti prej disa njerzve që dinë  si ta vërtisin ligjin e të na  na përdorin si mish për top.

     Në vitin 2003 Komandantët dhe Shtabi i UÇK’së duke parë gjendjen tonë vendosën që të na ndihmonin në kujtim të bashkluftëtarit të tyre të rënë, i cili  tregoi aq trimëri gjatë luftës, që u bë aq i dashur për shqiptarët e Maqedonisë sa edhe sot e kujtojnë me dashuri dhe i thurin këngë, vendosën pra, që shtëpinë bazë të luftës së UÇK’së në Tiranë të na e dhuronin. E gëzuam këtë shtëpi 8-vjet, kur papritur një tufë burrash nga Kosova ia behën dhe pa pritur të sqarohen se cilët ishin, ai që i printe na tha: - “Zonjë kjo banesë është e imja!”

     Ata nuk dinin as në emër të kujt është kjo banesë, as sa dhoma ishin e të tjera dhe si ikën këta, pas tre ditësh, në mes të acarit na vjen Florin Krasniqi (sot deputet i Vetvendosjes në Parlamentin e Kosovës) dhe na deklaron që banesa ishte në emër të tij. Unë iu përgjigja se banesa nuk ishte në emrin e tij dhe ai më paraqiti dy fatura nga shoqata bamirëse që i kishin dhënë të hollat. Unë iu shpjegova se në këtë shtëpi më kanë futur ish’komandantë të UÇK’së, mirëpo me djallëzitë e tyre këta shpirtzinj nuk kishin pushuar nga intrigat e tyre, kishin bërë gjyq në mungesën tonë dhe pa na njoftuar në kundërshtim me ligjet shqiptare të drejtësisë.

     Papritur një ditë, me aktin e ekzekutimit për të dalë nga shtëpia, na vijnë 30 veta, të dërguarit e deputetit Florin Krasniqi, duke na kërcënuar që të dalim nga shtëpia edhe pse jemi në çështje gjyqësore të hapur.

     Sot që po ju shkruaj këtë letër,  mua me dy fëmijët e mi, policia e përmbarimit më kanë kërkuar të dal në rrugë të madhe sepse ne jemi pa mbrojtje. Ne u dashkemi vetëm atëhere kur duhet derdhur gjak për këtë komb e për këtë popull. Përtej kësaj ne jemi të humbur, pa përkrahje, jetime, të pastrehë, të papunë e nën mëshirën e fatit.

     Po a e meritojmë ne këtë?

     A e meriton bashkëshorti dhe babai atje në varr këtë shpërblim mizor për sakrificën e tij sublime. A e dini të dashur bashkatdhetarët e mi cila është letra që i ka dërguar Komandant Teli, fëmijëve të vet vetëm pak ditë para se të binte dëshmor i Atdheut? I shkruante: “Ta doni nënën, ta doni njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ta doni Atdheun. Edhe sikur të mos kthehem një ditë, Atdheun do ta keni si prind!” Po tani që na nxorrën në rrugë, çfarë do t`i thonë fëmijët e mi babait të tyre tek varri.

     Fjala ime e fundit plot dhimbje është kjo:

     Na ndihmoni!

     As familjet e dëshmorëve, as fëmijët e tyre dhe as dëshmorët, ata që pushojnë në panteonin e atdheut, nuk e meritojnë këtë barbarizëm!

 

Bashkëshortja e Komandant Telit me dy fëmijët.

Tiranë, 27 qershor 2011

 

 

 

SI U VRA KOMANDANT TELI?!


     Lefter Goxhaj - Komandant Teli ka lindur  më 22 shtator 1969 në fshatin Poliçan të Beratit - Shqipëri. Gjatë luftës çlirimtare në Maqedoni ishte  komandant i njësisë speciale “Teli 69” dhe ka marrë pjesë në shumë beteja të përgjakshme si në:  Sllupçan, Mateç dhe Haraçinë etj. Më 7 Gusht 2001 vritet pabesisht (bashkë me katër bashkëluftëtarë) në lagjen Gazi - Babë të Shkupit. Ka lënë gruan Rabijen dhe dy fëmijët, djalin Letjanin dhe vajzën Rexhina.

 

 

*   *   *

     Mesnatën e 7 gushtit 2001 Komandant Teli dhe pesë ushtarë të tij ishin duke fjetur në odën e shtëpisë së Muzafer Halimit në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Pas vendosjes së armëpushimit me ushtrinë maqedonase më datë 4 gusht, Komandant Teli dhe njerëzit më të afërt të tij kishin udhëtuar drejt Shkupit. Për të mos rënë në sy të policisë ata kishin hyrë ilegalisht diku afër mbrëmjes dhe ishin strehuar në banesën e 67 vjeçarit Muzafer Halimi. I zoti i shtëpisë ndodhej në banesë vetëm me gruan dhe njërin prej tre djemëve Muhamerin, ndërsa dy djemtë e tjerë nuk ishin aty. Kur Komandant Teli dhe njerëzit e tij kishin rënë në gjumë, rreth orës 01.30 pas mesnate afro 400 forca speciale dhe trupa të policisë maqedonase kanë rrethuar zonën ku ndodhej banesa e familjes Halimi. Duke ditur mirë aftësitë e Telit dhe ushtarëve të tij, specialët maqedonas përdorën befasinë dhe ndërhyrë menjëherë në banesë ku hapën zjarr pa paralajmërim me të gjithë arsenalin e armëve që dispononin. Gjatë sulmit ka shpëtuar djali i të zotit të shtëpisë Muhameri, i cili nuk ndodhej në odën ku flinin njerëzit e UÇK’së. Ai ka përfituar nga situata dhe është larguar. Për të mos u zbuluar specialët maqedonas nuk kanë përdorur uniforma por kanë shkuar në vendngjarje me mjete dhe veshje civile. Si rezultat i sulmit të befasishëm kanë mbetur të vrarë në vendngjarje pa mundur të bëjnë asnjëlloj rezistence, Komandant Teli (Lefter Goxhaj) 32 vjeç, Arben Bajrami nga Shkupi 24 vjeç, Ndriçim Koxhaj nga Librazhdi 30 vjeç, Abaz Beqiri shqiptar i Maqedonisë 42 vjeç dhe Pajtim Roci nga Hasi 21 vjeç. Ndërsa 22 vjeçarin Adem Hasani nga lagjja Hasanbeg e Shkupit, forcat speciale e kanë marrë me vete në gjëndje të rëndë shëndetësore. Hasani u shpall i vdekur disa muaj më vonë në rrethana krejtësisht të panjohura nga policia maqedonase. Por ka dyshime të forta se ai ka vdekur gjatë hetimit special prej torturave që janë ushtruar mbi të.

 

 

( ... )

 

 

( Përgatiti Moderatori i www.pashtriku.org - 28. 06. 2011 )

TAKIMI I COOPER’it PA REZULTAT! & DIALOGU MBASE KA VDEKUR!

 

 

 

powered by Beepworld