Substanca jo’greke e grekëve dhe Greqisë

 

 

ZANAFILLA E GREQISË MODERNE

ËSHTË SHQIPTARE

 

 

Shkruan: Salih Mehmeti

 

Zanafilla e Greqisë moderne është kryekëput shqiptare

 

     Obsesioni i sëmurë i Greqisë për të përvetësuar jo vetëm të tashmen por edhe të kaluarën e moçme është qesëndisur nga gazeta si New York Times (1994) e cila i referohej pozicionit të Greqisë si ‘histeri mbi historinë’. Kurse një diplomat i panjohur perëndimor i cituar në New York Times (1995) e përshkruante pozicionin e Greqisë si “tërësisht iracional”. Klithjet histerike të togës së marincave grek që përçarteshin se “grek lindesh, grek nuk bëhesh” jo që janë qesharake por edhe janë tregues se ideologjia e sotme greke s’e ka haberin e domethënësisë së termit “grek” në lashtësi dhe sot, që për hir të së vërtetës nuk duhen ngatërruar në asnjë mënyrë. Mantra e ligjërimit etnonacional në Greqi ka të bëjë me sajimin e mitit modern të së ashtuquajturës “vazhdimësi e pakëputur” historike e kulturore nga ku grekët e sotëm s’janë gjë tjetër pos pasardhës vijëdrejtë të Perikliut, Platonit e Solonit. Derisa sot në Greqinë bizantine kanibalizohet e heretizohet verbalisht me të qenurin shqiptar, para një shekulli nuk ishte kështu.

Harta e Shqipërisë, askund nuk figuron emri Greqi!

________________________________________________________________________________________________________________ 

 

Shqiptarët në teritorin - që sot quhet Greqi!

________________________________________________________________________________________________________________

 

     ‘The Atlantic Monthly’ shkruante: “Tani nuk ka emra më të fismë e më të nderuar në Athinë, nuk ka familje më me ndikim në qarqet politike, sesa ato të prijësve shqiptarë në luftën e 1821, Tombazisi, Miauli dhe Kundurioti” (1882:31).

     Në të vërtetë zanafilla e Greqisë moderne është kryekëput shqiptare. Çdo shkrimtar, kronikan apo historian i shekullit të nëntëmbëdhjetë rregullisht ravijëzon fytyrën shqiptare të asaj që sot quhet Greqi. C. M. Woodhouse shprehet:Të habit fakti që prijësit e mbrojtjes së lirisë greke në atë kohë ishin shumica jo-grek’. Sipas antropologut Roger Just, shumica e ‘grekëve’ të shekullit të nëntëmbëdhjetë, jo vetëm që nuk e quanin vetën helenë (këtë etiketim e mësuan më vonë prej intelektualëve nacionalist); madje ata s’flisnin me qejf as greqishten, por më shumë dialektet shqiptare, sllave apo vllahe. Misha Glenny, një studiues i mbrehtë amerikan për Ballkanin vë në pah se filohelenët e Amerikës, Britanisë dhe Europës perëndimore thirreshin për një shtet të lirë grek, përpjekje kjo pasionante romantike për të sjellë në jetë kulturën helene të së kaluarës. Pak prej tyre ishin në dijeni të ndryshimeve të skajshme që kishin zënë vend në tokën e qytet-shteteve të dikurshme greke. Shumica e tyre qenë zhgënjyer keqazi nga mungesa e ngjashmërisë fizike me helenët e parafytyrimit të tyre klasik. ( * )

 

 

Shtojca e pashtriku.org ( * )

 

KOMBIN GREK E KRIJUAN FRANCA, ANGLIA DHE RUSIA!

 

     Nuk ka pasur kurrë një komb grek, atë e krijuan fuqitë e mëdha, Franca, Anglia dhe Rusia në bashkëpunim me fanariotët dhe Kishën Ortodokse në shek.XIX. Në këtë kuadër edhe vetë shteti grek ishte një produkt i tyre.

     Kush ishin fanariotët?!

     Fanariotët kanë qenë një shtresë intelektuale e përbërë nga etnitë e ndryshme të Ballkanit që përdornin gjuhën e Kishës Ortodokse për arsimimin e tyre. Ishte pikërisht kjo shtresë multietnike e cila u bë bërthama ideologjike e helenizmit. Territoret e asaj që sot quhet Greqi, në shek. XVIII - XIX, në pjesën më të madhe të tyre banoheshin nga shqiptarët. Në periudhën 1821 - 1829, shqiptarët e Peleponezit dhe ata të Atikës etj., luftuan për çlirimin e tokave të tyre nga Perandoria Osmane. Kjo luftë çlirimtare u shfrytëzua nga kleri ortodoks dhe fuqitë e mëdha për të krijuar një shtet të pavarur, që më pastaj u quajt Greqi.

     Kur u krijua Greqia, popullsia nuk u pyet për etninë, ajo u quajt automatikisht popullsi greke. Ky emër iu dha popullit shqiptarë dhe minoriteteve të tjera, në mënyrë që me këtë emër ata të identifikoheshin më lehtë me grekët e lashtë, (që në të vërtet nuk kishin kurrfarë lidhje). Misha Glenny, në „The Balkans, Nacionalism, War and the great powers“, faqe 26” shkruan: ”Vite më përpara, koncepti i shtetit grek (i cili ishte produkt i politikës së fuqive të mëdha) nuk ka ekzistuar kurrë. Grekët nuk e dinin cilët ishin.“ Madje, sipas antropologut Roger Just, shumë nga “grekët“ e shekullit XIX që sapo kishin fituar pavarësinë nga Turqia, jo vetëm që nuk e quanin veten helen ( ata e mësuan këtë titull nga fanariotët - Sh.B), por as që flisnin greqisht, por flisnin  në gjuhën shqipe, vllahe dhe sllave.“

Iliricumi shtrihet edhe në Greqinë e sotme, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha!

________________________________________________________________________________________________________________

 

     Kush e krijojë ideologjinë helene, identitetin dhe mitin grek?!

     Studiuesi Vamik Volkan, në (Blood Lines form Ethnikc Pride to Ethnic Terorism“ f.121-122) thotë, se: „britanikët, francezët dhe rusët kërkonin që identiteti i grekëve modernë të ishte helen, që t’i përgjigjej nostalgjisë evropiane për restaurimin e qytetërimit para krishterë helen“. Ndërkaq, William St.Clair në studimin „That Greece MIght Still Be Free“ shkruan se “grekët modernë kishin një mundësi që të zbulonin se cilët ishin dhe të vendosnin se si do ta quanin veten dhe vendin e tyre. Bota e jashtme( fuqitë e mëdha - Sh.B) kishte vendosur për ta. Ata do të quheshin grekë dhe vendi i tyre - Greqi.“

     Pra, helenizmi nuk është një entitet etnik dhe as identitet kombëtar, por është ideologji për t’i shkrirë të gjitha etnitë tjera në grekë, dhe prandaj njerëzit e tillë u quajtën helenë, ndërsa filozofia: heleniste. Nuk ka asnjë hartë antike, por edhe as mesjetare, që mund të tregojë emrin Greqi, dhe në shek. XVII-XIX u përdorën termat Greqia antike dhe moderne. Prandaj, thënë qartë, nën petkun e ideologjisë helene (për të bërë këtë lidhje antike-moderne) u ngrit një komb dhe shtet artificial (prej shqiptarëve të asimiluar etj.) me emrin e quajtur Greqi.

( Shkruar nga Sheradin Berisha)

( Literatura e shfrytëzuar:  Elena Kocaqi - Levanti / Planet për zhdukjen e shqiptarëve )

 

 

     David Holden, autor i librit Greece without Columns: the making of the modern Greekspohon: ‘Për mua, filohelenizmi është një çështje dashurie me një ëndërr që e parafytyron ‘Greqinë’ dhe ‘Grekët’ jo si një vend aktual ose popull i vërtetë por si simbole të një përkryerje të imagjinuar’ (1972:12). Më tej Holden vazhdon: ‘Shteti-komb grek ishte sajesë e ndërhyrjes politike perëndimore - ‘ideja fatale’ siç e quante dikur Arnold Toynbee, ekskluzivisht një nacionalizëm perëndimor që godiste mbi traditat multi-nacionale të botës lindore. Duke u rritur, prandaj, në njëfarë shkalle teorike, ishte një fëmijë i Rilindjes dhe racionalizmit perëndimor’.

Por cila është kjo shumicë jo-greke që vazhdimisht pikaset nga po këta perëndimor që e bënë Greqinë shtet?

     George Finlay, një nga historianët më të flaktë filohelenik që morri pjesë me armë në dorë në luftën kryengritëse të vitit 1821-31 jep një pasqyrë të shqiptarësisë së asaj që më vonë u quajt Greqi: ‘Maratona, Platsea, Leuktra, Salamisi, Mantinea, Ira dhe Olimpia, tani popullohen nga shqiptarët dhe jo grekët. Bile edhe në rrugët e Athinës, që ndonëse për më shumë se çerek shekulli kryqytet i Mbretërisë greke, gjuha shqipe dëgjohet ende midis fëmijëve që luajnë në rrugët në afërsi të tempullit të Tezeut’ (Historia e Revolucionit Grek: 1861).

(Për më tepër lexoni librin: George Finlay: History of the Greek Revolution …dhe shikoni e lexoni: George Finlay: Albanian element in the Greek Revolution-by  - Sh.B)

     Autorë të tjerë vënë në spikamë ngjyrën shqiptare të shumicës së popullatës nëpër qytetet më të mëdha të Greqisë së asaj kohe. Edmond About me 1855 shkruan: ‘Athina, njëzet e pesë vjet më parë, ishte veçse një fshat shqiptar. Shqiptarët përbënin, dhe ende përbëjnë, thuajse tërë popullsinë e Atikës; dhe brenda tri kategorive të kryqytetit, gjenden fshatra ku greqishtja mezi kuptohet’. Edhe francezi Pukëvill pajtohet me ngjyrat shqiptare të shumicës së popullsisë së Atikës. Edhe Elefisi, gati në mes të rrugës midis Megarës dhe Athinës…është një fshat i mjeruar i banuar nga shqiptarët’ - shkruan Henry A. Dearborn me 1819. Me një fjalë, duke u mbështetur në përshkrimet e G. Finlay dhe F. Martin shqiptarët popullonin tërë Atikën dhe Meseninë, pjesën më të madhe të Beotisë, krejt Salamisin, Korinthin, Argolisin dhe treva të tjera të brendshme të Moresë (Peleponezit).

Shqiptarët luftuan, ndërsa Greqinë e krijuan Fuqitë e Mëdha!

________________________________________________________________________________________________________________

 

     John Hobhouse (1809), bashkohanik i Bajronit, duke folur për përmasat e shtrirjes tokësore të zotërimeve të Pashallëkut të Ali Pashë Janinës thotë se në jug përfshinin një pjesë të Tebës, tërë Negroponten (Eubenë), trevën e Livadisë, Atikën, viset rreth Gjirit të Lepantos (Korinthit) dhe së fundmi edhe Morenë (Peleponezin), e cila i takonte njërit prej djemve të tij. Sami Frashëri në enciklopedinë e tij shumëvëllimëshe ‘Kamus Al-alam’ ku sipërfaq elemente biografikë të shqiptarëve me nam, përmend në zërat përkatës se djemtë e Ali Pashë Tepelenës, përkatësisht Muhtar Pasha dhe Veli Pasha ishin në detyrat e mytesarrifëve të Athinës (Muhtari) dhe të Moresë (Veliu).

( Lexoni pjesë nga enciklopedia e Sami frashërit: Kamus Al-alarm” - Sh.B)

     Kjo do të thotë se dhjetë vite para se të formohej Mbretëria rioshe e Greqisë, ajo quhej Shqipëri jo vetëm nga aspekti politik por veçanarisht nga ai etno-linguistik. Në mbështetje të këtij përfundimi vijnë një shumësi e panumërt dokumentimesh etnografike të kohës, të cilat vënë në dukje karakterin shqiptar të hapësirave në fjalë. Jakob Philipp Fallmerayer i cili udhëtoi mespërmes Greqisë hasi në Atikë, Beoti, dhe në pjesën më të madhe të Peleponezit një numër të madh shqiptarësh të vendosur, të cilat nganjëherë nuk kuptonin madje as greqisht. Nëse dikush e quan këtë vend Shqipëri e Re, shkruan i njejti autor, jep emrin e saj të vërtetë. Për të, këto provinca të Mbretërisë Greke janë të lidhura me helenizmin aq sa janë malësitë skoceze me trevat afgane të Kandaharit dhe Kabulit. ‘Megjithëse teoria e Fallmerayerit si tërësi është përjashtuar, edhe në ditët tona është e vërtetë se një numër i madh, shumë nga ishujt e Arçipelagut dhe thuajse e tërë Atika gjer në Athinë janë shqiptare’ shkruan A. Vasiliev, autor i volumeve të tëra për Perandorinë Bizantine.

     Pikërisht, kjo popullsi luftarake shqiptare (për të cilën flasin me admirim të gjithë europianët e kohës) do të jetë avangardja e kryengritjes së ardhshme e cila do të kurorizojë një Greqi të mëvetësishme. ‘Kunduriotët - shkruan Misha Glenny - familja më e fuqishme lundërtare e ishullit të Hidrës, që i priu një grupi domethënës gjatë luftës për pavarësi, ishin me prejardhje shqiptare’. Woodhouse veçon edhe prijësin e qëndresës në veri të Gjirit të Korinthit i cili ishte ‘sulioti Marko Boçari, pasuesit e të cilit ishin shumica shqiptarë’. Edhe Lord Bajroni kur kërkonte ca fakte bashkohore për të dëftuar se shpirti i madh helenik nuk ishte zhdukur, u drejtua pikërisht tek shqiptarët suliotë. Bile në përceptimin e asokohshëm europian, heleniku i vjetër që iluminoi me qytetërim Europën, shikohej tek shqiptari i asokohe. David Roessel thotë: ‘Kur Disraeli (kryeministri britanik - S.M) e bëri grek heroin shqiptar Skënderbeun në novelën e tij Ngritja e Iskanderit (1831), ai nuk përpiqej të rishkruante historinë ose të shlyente identitetin shqiptar. Ai thjesht nuk i shikonte grekun dhe shqiptarin si terma përjashtues njëri me tjetrin’. 

( Lexoni librin: David Roessel: In Byron's Shadow: Modern Greece in the English and American Imagination - Sh.B )

     Së këndejmi, është për t’u shënuar pohimi i sinqertë dhe i përligjur i profesorit grek Niko Dimous në një intervistë për New York Times: ‘Ne flisnin shqip dhe e quanim vetën rumë, por pastaj Winkelmani, Gëtja, Viktor Hugoja, Delakroiksi, na thanë neve, ‘Jo, ju jeni Helenë, pasardhës të drejtë të Platonit dhe Soktratit,’ dhe këtë e bënë’ (23 qershor, 2009).

( Lexoni: New York Times: Elgin Marble Argument in a New Light – 23 june 2009 -Sh.B)

 

Mbreti Otto I me fustanellë shqiptare

________________________________________________________________________________________________________________

 

     Përveç të lartëpërmendurve, në kronikat e luftës për pavarësi të Greqisë, heronjtë, kapetanët dhe ushtarët ishin shqiptar. Në të mirë të këtij përfundimi flet fakti që menjëherë pas pavarësimit, në kohën e mbretit bavarez Otoni I, veshja emblematike shqiptare - Fustanella - u adaptua si veshje zyrtare e Greqisë, e cila përdoret edhe nga Garda e ushtrisë së sotme greke. Prandaj, flamujt e mburrjes së grekëve të sotëm me ‘Ellinikotita’ (grek i vërtetë) janë veçse një tregues i falsitetit të pretendimit të tyre.

 

Thelbi jo'grek i emrit ‘Grek’

 

     Vetë zanafilla e termit ‘Greqi’ dhe ‘Grek’ është ilire. Shumica e historianëve bashkohor pohojnë se termi ‘grek’ lidhet padyshim me emrin ‘Graikhos’ (Γραικός) për të cilin i pari kumton Aristoteli (‘Meteorologica’ I. xiv), ndërkaq interepretimi modern kumton se ky emër është përdorur nga ilirët për t’i shënjuar dorët në Epir (për të cilët pranohet në mjedisin historigrafik botëror të kenë pasur pjesërisht karakter ilirik) nga Graii, emër autokton për një popull të Epirit. Irad Malkin (1998), historian në Universitetin e Tel-Avivit thotë se termi ‘Graikoi’ u shpërnda në Italinë jugore nga ilirët dhe mesapët.

( Lexoni: Irad Malkin: The returns of Odysseus: colonization and ethnicity - Sh.B)

     Henry Welsford (1845) thotë se ishin Pellazgët ata që e sollën emrin Graikoi’ (Γραικο) në Itali ndërkaq Wilhelm Ihne (1871) mendon se këtë e bënë Epirotët. Në këtë rast, njejtësia etnike pellazgo-iliro-epirote bëhet e pamohueshme pikërisht falë faktit të konfondimit të vazhdueshëm të Pellazgëve, Ilirëve dhe Epirotëve nga ana e studiuesve. George Grote në Historia e Greqisë, thotë se ‘Graikoi’ ishin një popull ilir, emri i të cilëve nënkuptonte ‘malësorë’. ( Lexoni: George Grote, History of Greece - ShB)

 

Karikatura që satirizon Fuqitë e Mëdha (policët)

dhe shteti i ri grek(fëmiju shqiptar me fustanellë)

________________________________________________________________________________________________________________

 

      Osborne William Tancock (1874) thotë së Graeci ishin një fis i vogël i vendosur në bregdetin ilir. Më vonë romakët do t’i quajnë tërë helenët e vjetër me emrin e përgjithshëm grek ose ‘Graeci’ më konkretisht. Leonard Robert Palmer (1988) është i prerë në atë se emri ‘Graeci’ është emër ilir kurse Eric Partridge (1977) e quan emër me ‘origjinë pellazge’.  Malte Brun (1829) gjatë elaborimeve të tij për të dëshmuar ‘strukturën helenike’ të shqipes thotë se ‘Graia’ (Γραία) shpjegohet përmes fjalës shqipe ‘Grua’. Edhe profesori i letërsisë greke në Universitetin e Palermos, Xhyzepe Krispi (1831) mbështet zbërthimin e propozuar nga Malte Brun: ‘Dhe pikërisht  Γραία do të thotë grua plakë, madje mund të merret fare mirë për zonjë shtëpie, në kuptimin e gruas me përvojë. Sido që të jetë, grua është një fjalë shumë e vjetër’.

( Lexoni: Shqipja nëna e gjuhëve - Krispi, Xhuzepe, 1831 - Sh.B)

     Nicholas C. Eliopoulos (2002) pohon se në perceptimin romak përmes ‘Graeci’ identifikohej identiteti matriarkal i tyre. Kjo përforcohet edhe nga dëshmitë e bollëkta të autorëve greko-romak ku në botën iliro-epirote kishte një nderim të madh për gjininë femërore, veçanarisht për gruan. William Ridgeway, historian britanik thotë se Aristoteli duhet të ketë pasur në mendje Ilirët kur thotë se popujt luftarak dhe ushtarak, me përjashtim të keltëve, kanë qenë nën kontrollin e grave. Ilirët kanë qenë nën gineokraci (sundimi i grave) në shekullin e tretë p.l.k ndaj nuk duhet parë si befasi fakti që monarku më i rëndësishëm ilir ishte femër. Kjo ishte Teuta, mbretëreshë ilire e cila me 228 para Krishtit vrau të dërguarit e Romës. Edhe në Encyclopaedia Britannica’ (1911) pohohet e njejta: Duket që gratë në Iliri kanë pasur një pozitë të lartë në shoqëri dhe madje të kenë ushtruar fuqi politike’. Dëshmia e Pseudo-Skylaksit në ‘Periplus’ (21) se liburnët i nënshtrohen pushtetit të grave interpretohet nga një sërë studiuesish bashkohor si një lloj matriarkati. Kurse, Stipçeviq (1974) beson se kemi të bëjmë me ‘mbeturinat e një institucioni të stërlashtë, rrënjët e të cilit duhet kërkuar në periudhën paranindoevropiane’.  Straboni në kumtin e tij (7.7.12) bën fjalë për kastën priftërore të Dodonës pellazgjike në të cilën profetizonin tri gra (στερον δ' πεδείχθησαν τρες γρααι, πειδ κα σύνναος τ Δι προσαπεδείχθη κα Διώνη.)  ( Lexoni: STRABONI - Sh.B)

     Edhe brenda kuadrit të legjendave lashtësore pellazgjike, veçmas në legjenden e Perseut përmenden tri hyjneshat e quajtura GRAIAI të cilat në përfytyrimin mitologjik paraqiteshin si plaka të vjetra, madje edhe të lindura të plakura. Për t’i dhënë përligjje shkencore etimologjisë së mësipërme ku ‘graia’ barazohet me ‘grua’ në shqip, na shërben mjaftueshëm kumtimi i Strabonit (VII, 2) se në gjuhën e molosëve dhe thesprotëve plakat quheshin γραίας πελίας (graias pelias). Me fjalë të tjera, zbërthimi përfundimtar i emrit Grek - ‘Graikoi’ lidhet me fjalën iliro-shqipe ‘gra plaka’ si referencë e drejtëpërdrejtë ndaj kultit të nënës dhe gruas në botën e lashtë pellazgo-ilire. Në llojshmërinë dialektore të shqipes gjejmë përkatëse për γραίας si p.sh gra (në shumës), graria, granimi, etj. Edhe më vonë, etnonimi ‘grek’ ose ‘graeci’ ka nënkuptuar substancialisht shqiptarin. Vendbanimi ‘Piana del Greci’ në trevën e Palermos në Sicili është banuar vijimësisht prej shqiptarëve të ritit ortodoks. Më vonë gjatë viteve të 30’ta të shekullit të kaluar emërtimi i vendbanimit ndryshon në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet).

 

Prishtinë, 11. 08. 2010

 

( Lidhjet Ilustruese i përgatiti moderatori i pashtriku.org )

 

Klikoni mbi foto - shikoni pamje tjera nga Pamiri:

 

Në kërkim të gjurmëve të Lekës së Madh

 

P A M I R I  

ZGJIDHJA E NJË ENIGME ILIROMAQEDONASE

 

 

 

Shkruan: Salih Mehmeti - Prishtinë, 08. 05. 2010

 

Ku është Pamiri? - Vështrim gjeografik

 

     Krahina malore e Pamirit është një nga viset më magjepsëse të Azisë Qendrore. Pamiri përfshin një sipërfaqe të gjerë vargmalesh e pllajash që njihen rëndom si Malet e Pamirit ose Pllajat e Pamirit. Pamiri gjendet në juglindje të Taxhikistanit të sotëm, pikërisht në provincën autonome të Gorno-Badakhshan e cila për një kohë të gjatë kërkon shkëputje prej pjesës tjetër të Taxhikistanit.

 

Klikoni mbi harta, lexoni per PAMIRIN:

Fig 1. Pamiri brenda Taxhikistanit

 

Leka i Madh dhe Pamiri

 

“…Arnautët, ose Shqiptarët, si pasardhës të drejtpërdrejtë nga Ilirët dhe Maqedonasit”  (Journal of the Royal Anthrpological Institute of Great Britain and Ireland - 1879,  fq. 232)

Epirotët, Ilirët dhe Maqedonasit e vjetër rilindën në mesjetë si raca bashkohore shqiptare”  (Great races of mankind - John Clark Ridpath, 1893, fq. 209)

     Në krahinën e Pamirit qenësojnë dhjetëra bashkësi të përveçme etnike të dallueshme njëra nga tjetra por që e quajnë vetën me etnonimin ‘Pomirian’. Disa prej këtyre bashkësive etnike shquhen nga të tjerat nga vetë fakti se janë të racës së bardhë. Për njëfarë kohe sundoi mendimi se popullsitë e Pamirit duhen të jenë me zanafillë iraniane. Njëra ndër bashkësitë e përveçme etnike në Pamir njihet me emrin Uakhan që numëron diku 15.000 frymë.

 

Klikoni mbi foto:

Foto: Fëmijë nga Pamiri

 

     Është për t’u shënuar se një pjesë e Uakhanëve jetojnë edhe në Hunzë të Pakistanit, ndërsa pjesa tjetër e uakhanëve janë të ngjashëm jo vetëm antropologjikisht me kalashët por kanë edhe pikëtakime gjuhësore. Ngjashmërisht, sikur që hunzakët dhe kalashët e cilësojnë vetën pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh ose Iskandarit siç e kanë të ngulitur në vetëdijën e tyre, poashtu edhe uakhit e quajnë vetëveten si pasardhës të Lekës së Madh (Për më tepër shih: Një udhëtim nëpër Pamirin afgan ‘A JOURNEY TO THE AFGHAN PAMIR’. Fushata e paharrueshme gjurmuese e sipërmarrë nga etnologu i guximshëm danez  Ole Olufsen në vitet 1898-99 shënon disa kënde tjera të prejardhjes së mundshme të popullsive të Pamirit nga ushtarët e Lekës së Madh. “Leka i Madh njihet nga të gjithë popujt e Azisë Qendrore si Iskandar, dhe sundimtarë të ndryshëm të luginave të Pamirit e cilësojnë vetën si pasardhës të Iskandarit’ - shkruan Ole Olufsen në librin e tij të vyeshëm ‘Përgjatë Pamirit të panjohur; ekspedita e dytë daneze 1898-99’.

 

Leka i Madh

     Siç e kemi vënë në dukje edhe më parë, pushtimet e Lekës u bënë më të zorshme në malësitë e Baktrisë dhe Sogdianës nga ku fiset e atyshme sulmonin në mënyrë të befasishme dhe të çrregullt ushtrinë e Lekës e cila edhe ashtu ishte e pakënaqur me kuturisjet e udhëheqësit të tyre që nuk dinte për ndalje. Sidoqoftë, pas luftërave të rrepta Leka arriti të zaptojë këto krahina të pabindura në të cilat ai la një pjesë të garnizioneve të tij për të ruajtur rendin si dhe lidhi martesë me bijën e një prijësi vendas e cila njihet me emrin Roksana. Natyrisht, një lidhje e tillë e krushqisë i detyrohet më shumë arsyejeve politike, sepse duke u lidhur martesa synohej paqësimi i atyre krahinave. Kemi përmendur gjithashtu se pas vdekjes së Lekës së Madh asnjëri nga ushtarët e tij nuk u kthye në atdhe; ushtarët e tij mbetën në garnizionet ku ishin, garnizione të cilat duhet të jenë bërë pjesë e mbretërive të veçuara të ushtarëve të Lekës në Azinë Qendrore. Privilegji i të qenurit klasë sunduese e ushtarëve të Lekës sigurisht se u krijonte edhe epërsi; dhe pikërisht kjo epërsi e të sunduarit mund të jetë njëra nga arsyejet e moszhdukjes së identitetit iliro-maqedonas të ushtarëve të mbetur në këto vise të harruara. Është fare e pavend të thuhet se bashkësitë etnike që e quajnë vetën pasrëndëse të Lekës e kanë ruajtur të pandryshuar identitetin e tyre burimor, ama fatmirësisht nuk janë përzier me raca të tjera.

     Aristidh Kola në librin e tij ‘Arvanitët dhe prejardhja e grekëve’ shkruan se: ‘Rreth 6 mijë ushtarë ilirë, pas vrasjes së Klitit nga Aleksandri i Madh, e veçuan pozicionin e tyre prej tij dhe u endën nëpër Braktanë, derisa përfunduan në Kafiristanin e sotëm, midis Afganistanit dhe Pakistanit verior’. Ndërkaq, një pohim po kaq të sigurt e gjejmë gjithashtu edhe tek historiani romak Justini i cili duke folur për caktimin e hisenikëve të Perandorisë Maqedonase pas vdekjes së Lekës thotë se: ‘Iliri Pito u vu në krye të Medisë së Madhe..’ (M. Junian Justini, Epitoma Historiarum Philippicarum Pompei Trogi, Libri XIII, 4, 13). Ndonëse Media e Madhe dhe Baktria ndodhën larg njëra tjetrës, fakti i pasqyruar nga Justini na jep arsyeje të mendojmë se edhe ushtarët e thjeshtë ilir duhen të jenë vendosur pikërisht në këto vende, varësisht ku gjendeshin ata: nëpër garnizione, fortifikata, pika kyqe malore e rrugore, etj.

 

 

Foto: Pamje nga Pamiri

 

Gjurmë të tjera të Lekës së Madh në Pamir

 

     Ekspedita të ndryshme turistike nënvizojnë faktin se diku në vargmalet e Pamirit gjendet liqeni Iskandarkul (vërejtje: Iskandar është shndërrim lindor i emrit Aleksandër, i emërtuar pas Lekës së Madh). Ky liqen është njëri prej më ngjashnjyesve në mbarë Azinë Qendrore. Këndej pari duhet të ketë kaluar Leka i Madh duke synuar pushtimin e Samarkandit. Në viset rreth e përqark gjëllijnë shumë tregime legjendare mbi kultin e Lekës së Madh.

 

Klikoni mbi foto, që të mësoni më gjerësisht për Liqenin Iskander-kul:

 

 

Foto: Liqeni Iskander - kul që mban emrin e Lekës së Madh.

 

     Një tjetër dëshmi e pranisë së mëvonshme të Lekës së Madh në këto treva është edhe qyteti i Khujandit, i cili edhe pse nuk ndodhet bash në Pamir por përtej Pamirit diku në Taxhikistanin Verior i cili është themeluar nga Leka i Madh dhe është quajtur si Aleksandria e largët. Mbase një qytet i themeluar nga Leka i Madh logjikisht duhet të ketë qenë i populluar nga ushtarët e Lekës së Madh, sepse Leka i Madh synonte që të mos linte prapashpine mundësi për kryengritje kundërmaqedonase nga fiset vendase. Në librin interesant ‘Azia Qendrore: Kazakistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Kirigistani’ të grupit të autorëve Bradley Mayhew, Greg Bloom, John Noble, Dean Starnes në faqen 368 flitet se Aleksandria e largët (dmth Khujandi i sotshëm) ishte ngulimi (avanposti) më i largët në lindje i ushtrisë së Lekës së Madh. ‘Në të vërtetë, Leka nuk u zgjerua edhe aq shumë në Samarkand por trupat e tij u kthyen sërish dhe Aleksandri i Madh vendosi të ndërtoi një kala të fuqishme në anën e Khujandit modern, i cili strategjikisht ishte i përsosur për mbrojtje dhe pushtim’  (http://www.discovery-tajikistan.com/archive/2005/win7.php).

     Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të qartësohet një gjë sa i përket gjurmëve të Lekës së Madh në këto vise të Pamirit e gjetiu. Hulumtues të ndryshëm e pranojnë gjerësisht faktin e pranisë së padiskutueshme të ndikimit të Lekës së Madh, si në qytete të vjetra, rrugëkalime, liqene, madje ndonëse në mënyrë më të kursyer edhe popullata pinjolle të ushtrisë së Lekës së Madh. Keqindentifikimi ka të bëjë me keqparaqitjen e këtyre gjurmëve si mbeturina të ushtrisë ‘greke’ ose kulturës ‘greke’. Nëse qytetet janë ndërtuar sipas stilit arkitektonik të Greqisë së Lashtë kjo nuk flet aspak se qytetet e Lekës së Madh në Azi janë greke. Sot qytetet që ndërtohen gjithandej botës bëhen sipas stilit të ndërtesave të larta amerikane; por kjo nuk i bën qytetet amerikane. Pjesa më e madhe e ushtrisë së Lekës së Madh ishte e përbërë nga popullsi jo greke, siç ishin maqedonët, fiset ilire e thrake dmth të së njejtës gjuhë. Kjo edhe është afërmendësh për shkak se Leka i Madh e ka pasur precedanin e shpërthimit të qytet-shteteve greke kundër Lidhjes së Korintit dmth kundër Maqedonisë.

     Sipas Lawrence A. Tritle në librin e tij ‘The greek world in the fourth century’ fq. 123, thotë se Filipi (i ati i Lekës) me fitoren në Kereonë morri kontrollin e gjithë qyteteve greke dhe se parandaloi një marrëveshje greko-perse. Gjatë tërë kohës, shtetet e nënshtruara greke nën sundimin e Lekës mezi prisnin të kryengritëshin kundër maqedonëve. Në librin interesant ‘Greek mercenaries: from the late archaic period to Alexander” Matthew Trundle në fq. 8 dhe 52 përmend se mbreti pers Dari angazhoi mbi 50.000 mercenarë grekë kundër Lekës së Madh. Prandaj, dosido Leka i Madh në ushtrinë e tij nuk mund të jetë mbështetur gjithaq në trupat greke: vendin më të rendësishëm padyshim se e kanë zënë maqedonët, ilirët e thrakasit që ishin të një trungu etnik.

     Këtu gjen vend thënia kuptimplotë e studiuesit të zellshëm britanik për shqiptarët Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe" (London 1914) ku shkruan se: ‘njerëzit të cilët mësyen mbi Babiloninë, Persinë dhe Indinë ishin stërgjyshërit e shqiptarëve’. Diodori i Sicilisë i cili jetoi në kohën e Cezarit dhe Augustit romak ka lënë një fragment shumë të rendësishëm që mund të na ndihmojë sadopak ta përforcojmë mendimin tonë. Diodori thotë se: ‘grekët që ishin vendosur në Baktri dhe Sogdianë, e që për një kohë të gjatë kishin duruar me hidhërim qendrimin e tyre midis njerëzve të racave të tjera, tani kur u përhapen fjalë se mbreti ka vdekur prej plagëve të marra, ngrenë krye kundër maqedonëve. Ata krijuan një bandë prej 3000 burrash dhe kaluan nëpër vuajtje të mëdha gjatë rrugës së kthimit të tyre për në shtëpi. Më vonë ata u masakruan nga maqedonët pas vdekjes së Lekës’ (Libri XVII 99.5-6)

 

Lidhjet me shqiptarët

 

     Pamiri përnjëfarë kohe është cilësuar nga mbështetësit e teorisë indo-europiane të gjuhëve si djepi i gjuhëve indo-europiane! Më pas, ky ‘djep’ është zhvendosur edhe në vende të tjera, gjë që flet për pasigurinë e madhe të tezës indo-europiane. Mirëpo, a thua përse u pandeh për njëfarë kohe Pamiri si djep i gjuhëve indo-europiane? Ky cilësim i Pamirit është jo i merituar dhe është shkaktuar nga mosnjohja e historikut të gjuhëve që fliten brenda Pamirit. Asnjëherë nuk i është dhënë rëndësi faktit të qartë se në Pamir kanë qenë vendosur fise iliro-maqedone të Lekës së Madh. Më vonë, gjuha ilire e përhapur nëpër Pamir është menduar se është gjuha bërthamë, ndërkohë që gjuha bërthamë duhet kërkuar në hapësirën danubo-egjeane në Ballkan ku jetonte i ndarë në fise populli pellazg.

     Zanafilla e gjuhëve që fliten në Pamir duhet kërkuar në Iliri. Pamiri fatkeqësisht përgjatë historisë është kredhur nga dyndjet prej më të ndryshmëve të pushtuesve mongol, iranian etj. Gjithsesi, këto pushtime duhet të kenë pasur çmimin e vet: ato i kanë zhdukur emërtimet ilire ose nëse nuk i kanë zhdukur atëherë kanë krijuar përzierjet nga më të ndryshmet, që mund t’i ngatërrojë edhe studiuesit më të mirë. Dimë, se emrat e maleve - oronimet, lumenjëve e rrjedhave ujore - hidronimet janë më të qendrueshme nga ndërfutjet gjuhësore; si të tilla duke e njohur aftësinë e qëndrueshmërisë së këtyre toponimeve atëherë i duhen dhënë rëndësi më shumë për të njohur më mirë Pamirin. Në kapitullin për Hunzën kemi nënvizuar se toponimi - etnonim Hunza ka një shpjegim të bindshëm që e jep gjuha shqipe dmth ‘Hundë e vogël’ lugina - pllajë e cila ka trajtën e një hunde të rrethuar nga malet. Janë hedhur disa shpjegime të ndryshme mbi kuptimin etimologjik të fjalës ‘Pomir’ mirëpo kjo nuk i ka dhënë fund mirë shpjegimit të plotë shkencor të emërtimit ‘Pamir’. Pikërisht, ky mosrrumbullakësim i etimologjisë së Pomirit kërkon domosdo -  shmërisht edhe shpjegime të tjera.

     Një shpjegim goxha bindës mund ta gjejmë sërish nga gurra fjalësore e gjuhës shqipe, madje në dy mënyra. Zakonisht, në literaturën historike dhe etnografike Pamiri njihet me po këtë emër, edhe pse banorët vendas e quajnë Pomir. ‘Pamir’ në gjuhën shqipe mund të zbërthehet në dy fjalë: ‘Pa (Pamje) Mir (E Mirë) pra pamje e mirë, gjë që ka njëfarë logjike. Le ta bëjmë një përfytyrim sado modest: ta zëmë se jemi ushtarët e Lekës së Madh. Malet e pafundme të Hindokushit duhet t’i kenë lodhur me të vërtetë ushtarët e Lekës, mirëpo zbutja e terrenit malor dhe shfaqja e pllajave të magjishme e të pakufishme bëri që ushtarët e Lekës të kishin para syve të tyre një pamje të mirë. Pra, Pamir = Pamje e Mirë. Varianti tjetër ‘Pomir’ aspak nuk bie në kundërshtim me kuptimin e të parit, sepse Pomir në gjuhën shqipe mund të zbërthehet edhe si Po +  mirë. Që të dy variantet etimologjike të gjuhës shqipe përputhen plotësisht me të vërtetën dhe ndjenjën e mirë që shkakton kundrimi i pllajës nga malet e Hindokushit.

     Në aspektin etnografik, popullsitë e Pamirit ose Pomirit shfaqin një larmi trajtash të llojndryshme që meritojnë një vrojtim të posaçëm. Në dyert e shtëpive pamiriane skaliten dy brirë të përdredhur cjapi ose dhie, që mund të shihet edhe në Hunzë ose në luginën Kalashe. Natyrisht, dukuria e ruajtjes së këtij simboli dybrirësh që është i lidhur pashmangshëm me Lekën e Madh dhe helmetën e tij me dy brirë dhie (sipas Plutarkut) është çështje që do trajtim më të gjërë.

 

Klikoni mbi foto, lexoni...:

 

Veshjet dhe tradita pamirase

 

     Shkurtimisht, le të përmendim se kjo ndihmon edhe mbështetësit e teorisë së Dhul Qarnenit, personazhit legjendar të përmendur edhe në Kuran, që e identifikojnë me Lekën e Madh. Dhul Qarnain në arabisht ka kuptimin e ‘Dy Brirëshit’. Natyrisht, engima ‘Dhul Qarnain’ nuk është zgjidhur ende sepse ka interpretime nga më të ndryshmet, mirëpo simboli i dybrirëshit i ruajtur besnikërisht në etosin pamirian, ofron një perspektivë tjetër në mbështetje të ithtarëve të Lekës së Madh. Tjetër aspekt që nguc vëmendjen tonë është edhe përdorimi i disa veglave muzikore që janë të ngjashme me lahutën shqiptare.

 

( * ) Për çdo vërejtje, kritikë, këshillë apo pyetje mund t’i drejtoheni autorit në: salih.mehmeti@gmail.com

 

 

Bibliografia:

1. http://www.pamirs.org/maps.htm

2. http://www.iras.ucalgary.ca/~volk/sylvia/Pamir1.htm Throug the Unkown Pamir’ Ole Olufsen´

3. http://www.eki.ee/books/redbook/pamir_peoples.shtml The people of the Pamirs

4. A Journey to Afghan Pamir

5. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve, Aristidh Kola

6. Central Asia: Kazakhstan, Tajikistan, Uzbekistan, Kyrgyzstan, Turkmenistan

         By Bradley Mayhew, Greg Bloom, John Noble, Dean Starnes

         Edition: 4, illustrated

         Published by Lonely Planet, 2007

         ISBN 1741046149, 9781741046144

7. ‘The greek world in the fourth century’ Lawrence A. Tritle

8. ‘Greek mercenaries: from the late archaic period to Alexander’ Matthew Trundle

9. Albania: the Foundling State of Europe" (London 1914)

10. M.Junian Justini, Epitoma Historiarum Philippicarum Pompei Trogi, Libri XIII, 4, 13

11. Diodorus Siculus, Libri XVII 99.5-6

12.  http://www.discovery-tajikistan.com

S.MEHMETI: JO FEDERATË ME SERBINË!

 

 
Prania iliro - maqedone në Azi
 
Qytetërimi pellazg në Azinë Qendrore
 
 
Shkruan: Salih Avdullah Mehmeti
=================================================
 
Hunza, Kalasha dhe Pamiri - Zgjidhja e një enigme
 
Vargmalet e pathyeshme të Hindukushit (Afganistani Verior), Pamirit (Taxhikistan) dhe Karakorumit (Pakistani Verior/Himalaje) krahas krenarisë së tyre si malet më të larta në botë, po nxjerrin në dritë qytetërime të pazakonta e befasuese për këto vise të harruara. Është fjala për disa bashkësi popullsish të racës së bardhë, me gjuhë, zakone dhe kulturë të pavarur nga popullsitë e tjera përqark tyre. Këto “Atlantida” të njëmendta po bëhen gjithnjë e më shumë një temë e ethshme, tërheqëse dhe tunduese. Çështja bëhet edhe më e mbrehtë kur kihet parasysh fakti se këto “qytetërime të fosilizuara” e të përveçme nga pjesa tjetër e njerëzimit i kanë qëndruar kryeneçësisht furtunave shekullore në këtë rajon të përplasjes me qytetërimet aziatike: mongole, islame, budiste e hinduse. Interesimi për këto popullsi të bardha europiane në këto vise të humbura shfaqet që nga shekulli XIX prej dijetarëve e udhëpërshkruesve britanikë në Azi. Tek ata qe krijuar një bindje e përgjithshme se ekzistonin mbetje legjendare të ushtrisë të Lekës së Madh të ngulitura thellë në malësitë aziatike. Një ide të tillë e përcillte edhe romani “Njeriu që don të bëhet mbret” (1888) i autorit Joseph Rudyard Kipling (1865-1936); ky libër u kalua edhe në film artistik më 1975.
Ndërkaq, romani tjetër me nam “Horizonte të humbura” (1933) të James Hilton (1900-1954) përshkruan me imtësi jetën e këtyre popullsive epike. Dokumentim interesant në këtë aspekt ka lënë edhe danezi Ole Olufsen në librin e tij etnografik: ‘Përgjatë Pamirit të panjohur; ekspedita e dytë daneze 1898-99’ ku thuhet se: ‘Leka i Madh njihet nga të gjithë popujt e Azisë Qendrore si Iskandar, dhe sundimtarë të ndryshëm të luginave të Pamirit e konsiderojnë vetën si pasardhës të Iskandarit’. Më vonë gjatë shekullit XX, interesimi për këto popullsi të panjohura u shtua edhe më dhe si rrjedhojë do të bëheshin dhjetëra ekspedita etnografike e dokumentime të tjera të vyeshme. Televizioni Kombëtar i Japonisë në reportazhin epik pesëvjeçar (vitet e 80’ta) mbi Rrugën e Mendafshtë e ka pohuar shumë çështjen e këtyre popullsive të bardha. Pohimi i një qytetërimi të shkëputur në kohë e hapësirë, ndër të tjerash qe një thikë me dy presa, sepse menjëherë megafonët grekë nxituan të trumbetonin madhështinë e “qytetërimit helen” në botë! Kjo falsifikatë e vjetër me stil të ri krijoi keqpërkufizime të shumta mbi këto popullsi duke iu mveshur a priori një ‘origjinë greke’ dhe fashiti një të vërtetë tjetër që do të zbardhet sadopak në vijim të këtij studimi.
 
Prapavija historike
 
"Pas vdekjes s’Aleksandrit, maqedonasit bënë disa mbretëri n’Asi..." Sami Frashëri
 
          Iliro-maqedoni i pavdekshëm Leka i Madh (356-323 p.l.K) pushtoi pjesën më të madhe të botës që njihej në lashtësi. Perandoria e Lekës së Madh shtrihej që nga ujërat e Adriatikut e Jonit në perëndim e gjër në kreshtat e larta të Himalajeve në lindje, të cilat janë gjëra të mirënjohura për shkencën e historisë. Robert D’Angely në veprën e tij ‘Enigma’ vë në pah faktin se dymijë vjet para Lekës së Madh ka ekzistuar një dyndje e të bardhëve prej Europës Juglindore drejt Lindjes. Ekspedita e Lekës, vë në dukje Robert D’Angely, ishte veçse një përsëdytje e së parës ekspeditë pellazge. Aristidh Kola nxjerr të vërteta edhe më të mbrehta. Dardanët kanë bërë shtegëtime-ngulime të shumta drejt Lindjes ku kanë përhapur kulturën dhe qytetërimin e tyre, madje gjër në Tibet e Indi, ku edhe sot e tutje në brigjet e lumit Ind ekziston një trevë që quhet Dardanistan, popullsia e të cilëve është e dhënë pas zejes së metalurgjisë, ngjashëm si profesioni i dardanëve të lashtë. Madje, thuhet se kur Leka i Madh arriti në Indi, priftërinjtë e atyshëm i rrëfyen për fushata të mëparshme të bashkëatdhetarëve të tij në atë vend.
Ndërkaq, nga rrëfenjat e lashta janë të njohura shtegëtimet epike të Dionisit dhe Herkulit drejt lindjes. Pra, përforcohet një nga ligjet e mirënjohura shoqërore të shtegëtimeve të mëdha të popullsive ‘nga i njohuri te i njohuri’, ku popullsia shtegëtuese paraprakisht ka të dhëna mbi popullsitë ku mund të zhvendoset. Një udhëtar i vetëm mund të shkojë drejt së panjohurës, drejt një vendi të panjohur, porse një popullsi shkon drejt së njohurës, drejt një vendi me popullsi të njohur. Duket, se ekspedita epike e Lekës së Madh ishte veçse përvijim i ekspeditave të mëparshme pellazge në ato vende. Robert D’Angely madje shpërfaq një fakt tjetër interesant: ushtarët e Lekës u hakërryen pamasë nga udhëheqësi i tyre kur ky i fundit u kërkonte të vazhdonin edhe më tej brenda Indisë dhe ata thoshin se nuk donin të shkonin më larg së stërgjyshërit e tyre.
Ngulimet e ushtrisë së Lekës së Madh në viset e pushtuara aziatike janë kyçi i zgjidhjes së enigmës së popullsive të bardha të Azi. Sipas jetëshkruesit të Lekës së Madh, Arianit, pjesa më e madhe e ushtrisë se Lekës përbëhej nga ushtarë me zanafillë iliro-thrake (ilirë, thrakë, maqedonas, peonë, agrianë, etj.) si ‘popujt më të fortë dhe më luftarakë të Europës kundrejt racave më të dobëta dhe më pak burrërore të Azisë’. Sipas studiuesit Eduin Zhak, Leka i Madh para se të nisej në fushatat e Lindjes kishte kërkuar nga qytet-shtetet greke 7000 ushtarë, por faktikisht siguroi shumë më pak. Madje, një studiues shqiptar (Qafëzezi, 1929) pohon se në ushtrinë e Lekës ishin vetëm 600 grekër. Duket se Leka i Madh s’u zinte besë grekërve, prandaj ai mbështetej më shumë te maqedonasit, epirotasit, ilirët e thrakasit. Më tej gjithnjë sipas Eduin Zhakut, në vitin 331 p.e.s. pakënaqësitë e grekërve ndaj Lidhjes së Korintit rrjedhuan në kryengritje e cila kërkonte ndërhyrjen e maqedonasve për ta shtypur këtë kryengritje. Prandaj Leka i liroi nga ushtria e tij të gjithë aleatët e vegjël grekë dhe vitet që pasuan vazhdoi pa ndihmën e tyre. Ky fakt është mëse i mjaftueshëm (në mesin e shumë të tjerëve) për ta hudhur poshtë pretendimin e pabazë se gjoja pasardhësit e Lekës në Azi janë grekër! Prandaj me arsye të thjeshtë çelësi i hapjes së enigmës të pasardhësve të Lekës në Azi kërkohet pikërisht te pasardhësit e Lekës dhe ushtrisë së tij në Europën Juglindore, saktësisht te populli shqiptar. ‘Përgjigjja gjendet në përbërjen e ushtrisë së Aleksandrit të Madh, d.m.th në popullin që jo vetëm pushtoi Azinë, por edhe u vendos në vendet e pushtuara si klasë udhëheqëse. Dhe ky popull ishin maqedonasit dhe ilirët, d.m.th populli i vendit që kishte për burim popullin pellazgjik...’ shkruan Aristidh Kola në librin e tij ‘Gjuha e Perëndive(Plejad 2003, fq.73).
Fushatat luftarake të Lekës së Madh në malësitë e Baktrienisë (Afganistani i sotëm) dhe Sogdianës (330-327 p.e.s) fatmirësisht janë të dokumentuara. Pushtimi i këtyre krahinave të pabindura e dërrmoi rëndë ushtrinë e Lekës. Ndërsa, marshimi kundër Indisë së madhe për pak sa nuk e ndjelli një rrebelim-dezertim shkatërrimtar në ushtrinë e Lekës, e cila ishte e lodhur dhe e velur nga pushtimet e tepërta. Vlen të nënvizohet fakti se në Baktrieni Leka kishte lënë prapa 10 mijë këmbësorë dhe 3500 kalorës me gjithë garnizionet në fortifikatat e ndryshme në pika kyçe rrugore e malore. Ndërprerja e mësymjes kundër Indisë dhe kthimi i detyruar prej ushtarëve, Lekën ambicioz e vuri përballë një sprove të vështirë. Leka i Madh hamendësonte me të drejtë se kthimi i ushtrisë së tij në atdhe mund të shkaktonte humbjen e të gjitha tokave të fituara me gjak, veçmas në krahinat e Baktrienisë dhe Sogdianës. Leka i Madh zgjuarisht shtroi një plan largpamës dhe gjenial: përse të mos martoheshin oficerët e tij të lartë maqedonas me gra perse, në mënyrë që të krijohej një brez fisnikërie prej gjaku maqedono - pers? Vetë, Leka u martua me dy gra: me Statirën, vajza e madhe e Darit dhe me Parisatisin, vajzën e vogël të Antarkserksit III. Më parë për të paqësuar Baktrieninë, Leka qe martuar me Roksanën, bijën e një prijësi baktrien.
Arthur Uaigall (1880-1934), historian i Lekës së Madh thotë se me këto veprime Leka mëtonte që në zemrën e Perandorisë Perse të krijonte një aristokraci të re si hallkë lidhjeje mes Lindjes dhe Perëndimit. Në gjysmën e parë të viti 324 p.e.s. në pallatin mbretëror të Suzës u bë zyrtarizimi i martesave aristokrate të 90 çifteve, domethënë oficerëve më të lartë të ushtrisë së Lekës me gra aristokrate perse. Ndërkohë, u kërkuan edhe 10000 vajza perse me origjinë të thjeshtë që duhej të lidhnin kurorë me oficerë të gradave të ulta dhe ushtarë të thjeshtë. Arthur Uaigall vijon më tej në librin e tij (1933): “Bota duhej të pushtohej dhe njerëzimi duhej t’i qëndronte besnik atij dhe dinastisë së tij. Vendosja e marrëdhënieve të krushqisë në mes elementëve me ndikim politik te popujt, duhej t’i shërbente arritjes së këtij synimi. (...) Nga kujdesi për sigurinë e frontit lindor kundër kryengritjeve i interesonte që jo vetëm ushtria, me sa të ishte e mundur, të linte pas vetës një numër të mirë fëmijësh të lindur brenda martesës, të cilët do të rriteshin në shtresat e larta dhe të mesme të shoqërisë, por që edhe ndër viset e pushtuara të ruanin një kujtim miqësor për maqedonasit që të mos kishte as hidhërim, as armiqësi” (Aleksandri i Madh, fq.359-360, Shtëpia botuese ‘Bargjini’, Tiranë 2002). Ndërkaq, Aref Mati në librin Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen shkruan: “Të gjithë ushtarët e kësaj ekspedite nuk u kthyen në vendlindjen e tyre: ata krijuan trungun e tyre dhe përhapen kulturën dhe gjuhën e tyre nëpër të gjithë Lindjen, prej Azisë së Vogël deri në Himalaja (mal maja) duke kaluar nëpër Persi, Baktrianë, Afganistan dhe luginën e Indusit”. (Plejad 2007; fq.279)
Mbretëri të veçuara pas shpërbërjes së Perandorisë jetëshkurtër të Lekës kanë ekzistuar të pavarura për thuajse tre shekuj pas vdekjes së Lekës deri te mbreti Hermes II (55 ose 35 p.e.s.). Lugina e Hunzës ju jetojnë hunzakët/burushët (Pakistani Verior), lugina Kalasha ku jeton fisi kalasha (Nuristan/Afganistan -Çitral/Pakistan), rrafshnalta e Pamirit (Taxhikistan) janë disa “ujdhesa” të të bardhëve që vazhdojnë ta ruajnë edhe sot e kësaj dite në ndërdijen e tyre se janë pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Këto popullsi të përveçme nuk janë gjë tjetër veçse copëza të thyera të xhamit të Perandorisë që krijoi kryepellazgu gjenial - Leka i Madh. Rrjedhimisht, përforcohet thënia se këto popullsi janë pasardhëse të ushtrisë së Lekës duke pasur si bazë historike: martesat e shumta maqedono-perse në Suzë më 324 p.e.s. Ky është shpjegimi i përgjithshëm historik i etnogjenezës së tyre, duke i shtuar kësaj edhe faktin që Leka i Madh la prapa vetës shumë garnizione në qytetet që mbanin emrin e tij. Popullsi nga Europa Juglindore i vinin pas ushtrisë së Lekës dhe mbushnin qytetet që krijoheshin. Prandaj popullsitë e bardha në Azinë qendrore mund të jenë pikërisht edhe rrjedhojë e atyre garnizioneve dhe qytetarëve që ruanin e mbushnin qytetet me emrin e Lekës. Këtu gjen vend më shumë se kudo tjetër thënia kuptimplotë e studiuesit të zellshëm britanik Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe" (London 1914) shkruan:. “Njerëzit që mësyen në Babiloni, Persi dhe Indi ishin stërgjyshërit e shqiptarëve” (the men who marched to Babylon, Persia, and India were the ancestors of the Albanians)
 
Hunza, hunzakët dhe gjuha burush
 
Artikulli i parë që ndriçoi lidhjet befasuese shqiptare me kombësinë e Hunzës gjendet në librin e Aristidh Kolës ‘Gjuha e Perëndive’ ku shkurtimisht pahëtohen lidhjet e tyre pellazge. Por ku është Hunza, kush janë hunzakët, cila është veçantia e tyre?
Hunza është krahina më në veri të Pakistanit. Është fjala për një luginë-pllajë të gjërë rrethuar nga malet shkëmbore të Karakorumit (vazhdimësi e Himalajeve). Lugina e Hunzës zë një sipërfaqe tokësore prej 10.101 km katrorë, afërsisht sa Kosova e sotme. Kjo luginë magjepsëse e mbyllur midis malesh me dëborë të përjetshme, për një kohë të gjatë ka qenë e shkëputur prej pjesës tjetër të njerëzimit. Hunza ‘theu’ izolimin e saj më 1978 kur u ndërtua rruga më e lartë në botë që lidhte Kinën me Pakistanin duke krijuar një epokë të re mbarsur me sprova për Hunzën. Kryeqendra e Hunzës është qyteza e Baltitit. Lugina e Hunzës është hëpërhë vendi më i vizituar nga turistët e huaj në mbarë Pakistanin. Nuk ka dyshim se Hunza është arketipi i ‘Shangri-la’, vendit legjendar në romanin “Horizonte të humbura” të James Hilton’it. Një gjë pranohet nga të gjithë: njerëzit e Hunzës janë populli më mikëpritës në këto vise. Për qindra vjet me rradhë Hunza ka gjalluar si mbretëri e vetëqeverisur në krye me një prijës që vendasit e thërrasin ‘Mir’.
Pavarësinë e vet malësore Hunza e humbi pas luftrave të gjata kundër Perandorisë Britanike me 1892, sundim i cili zgjati deri me 1949. Kurse, zyrtarisht si pjesë e Pakistanit u bë me 1974 në sajë të një marrveshjeje të Kombeve të Bashkuara. E ngulitur midis malesh të larta Hunza dhe hunzakët janë legjenda e jetegjatësisë dhe shëndetit njerëzor. Revista zulmëmadhe ‘National Geographic’ në vitet e 70’ta e ka përzgjedhur Hunzën si mbretërinë e njerëzve më jetëgjatë dhe më të shëndetshëm në botë. Në Hunzë kanë shkelur njerëz me ndikim në botë siç janë: mbretëresha Elizabet, Çu En Laj, Frank Shor, Louell Tomas i Riu, etj. dhe ka shfaqur interes ish-presidenti amerikan Ronald Regan. Shumica e banorëve të luginës merren me bujqësi, blegtori dhe pak më rrallë edhe me turizëm. Lugina e Hunzës ka namin e rritjes së kajsive të shijshme për çka njihet edhe si ‘lugina e kajsive’ ku rriten mëse 33 lloje kajsish.
 

 

Fig 1. Harta e Pakistanit. Vendndodhja e Hunzës paraqitet me ngjyrë të kuqe ne pjesën më veriore të Pakistanit.

Popullsia e Hunzës

Banorët e Hunzës njihen si hunzakë dhe shquhen nga popullsitë e tjera të Pakistanit. Si në planin antropologjik, antropometrik, etnologjik dhe përgjithësisht si kombësi e pavarur, hunzakët dallojnë nga popullsitë e tjera përqark. Në gojëdhënat e përcjella brez pas brezi, hunzakët ruajnë kujtimin për ushtarë të humbur të Lekës së Madh që u vendosen në këto male. Këta ushtarë të humbur mendohet se janë vendosur në Hunzë rreth vitit 300 p.e.s., nja 23 vjet pas vdekjes së Lekës. Çdo përshkrim antropologjik ka prodhuar të njëjtin pohim: ata janë të bardhë me mollëza të mërdhezura, kanë përgjithsisht sy të kaltër, flokë të kuq ose të gështenjtë dhe trup të gjatë. Edhe përkah mënyra e organizimit të jetës dhe shoqërisë dallojnë plotësisht prej popullsive të tjera. Hunzakët nuk bëjnë martesa me kombësitë e tjera, përveç luginës së Nagarit e cila popullohet nga po këta hunzakë. Në dyert e shtëpive skalisin dy brirë dhie në shenjë kujtimi për Lekën e Madh, i cili në përkrenare kish pasur një simbol të tillë (sikur më pas edhe Pirro i Epirit dhe më vonë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu). Dëshmia përfundimtare që provon se hunzakët janë pasardhës të Lekës së Madh është fshati (dikur qytet që e ndërtoi Leka/Aleksandri dhe mban emrin e tij) i quajtur Sikanderabad. ‘Sikander’ ose ‘Iskander’ është veçse shndërrim lindor i emrit ‘Aleksandër’ kurse prapashtesa ‘bad’ më shumë është ndikim i gjuhës ardu (p.sh. Islamabad). Një provë tjetër interesante është edhe gatimi i një lloj buke që e bëjnë sot hunzakët dhe mjafton të hash ca kafshata nga kjo bukë dhe do të shuash urinë për orë të tëra. Mendohet se kjo bukë përdorej gjërësisht nga ushtarët e Lekës së Madh gjatë fushatave të lodhshme në Azinë e egër.   

 

Fig 2. Banore e Hunzës

  Gjuha

Gjuha që flitet në pjesën më të madhe të trevës së Hunzës është gjuha ‘burushaski’. Madje, kjo gjuhë ka dhënë emërtimin e veçantë “burush”për njerëzit që e flasin këtë gjuhë, meqë në Hunzë jetojnë edhe ca grupime të pakta që flasin gjuhë të tjera. Gjuha burush vetëm në Hunzë ka 50 mijë folës, në Gilgit 27 mijë, në Karaçi 12 mijë dhe Islamabad e gjetkë 2000; pra gjithsejt 91 mijë folës të gjuhës burushe. Kjo gjuhë kuptohet gjithandej Hunzës, përfshirë edhe popullsitë e tjera. Dik Grun, një gjuhëtar holandez që ka studiuar gjuhën burushe, ka arritur në përfundim se burushaski dallon prej gjuhëve induse të Pakistanit, gjuhëve tibetiane të Kinës dhe atyre të Kashmirit Verior. Ruhlen, një gjuhëtar tjetër vëren se “zanafilla e saj mbetet krejt e panjohur”. Nga të gjithë gjuhëtarët bashkohorë pranohet se gjuha burush është gjuhë e izoluar, e pacënuar nga ndikimi i gjuhëve tjera, edhe pse nuk përjashtohet ndërhyrja nga gjuhët e tjera fqinje po të merret parasysh harku kohor prej kur janë vendosur hunzakët në këto vise. Gjuha e burushëve nuk shkruhet akoma dhe ky fakt i pakëndshëm ka ngjallur edhe pretendime për ta keqpërdorur këtë gjuhë. Një përçapje e tillë u bë pikërisht nga një profesor sllavo-maqedonas i quajtur Ilija Gjasula i cili ka botuar një fjalor ‘krahasimtar’ mes gjuhës burushe dhe asaj sllavo-maqedone për gjoja ngjashmëritë kuptimore mes këtyre dy gjuhëve! Në fakt sllavishtja që flitet në Maqedoni është një gjuhë plotësisht e kundërt me gjuhën burushe, prandaj çdo krahasim është i pavend.
Rilindasit tanë kishin të drejtë kur shkrinin tërë mundin në drejtim të shkrimit të gjuhës shqipe, sepse mos-shkrimi i saj do të pasonte me zhdukjen e saj. Ndaj, e njejta ligjësi vlen edhe për burushën dhe kodifikimi i saj si gjuhë e shkruar do të jetë shpëtimi i saj.
 
Ngjashmëritë mes gjuhës shqipe dhe burushe
 
Finley në ‘Historia e Revolucionit grek’ faqe 41 thotë se duke u bazuar në përfundimet e arkeologëve ‘Aleksandrit të Madh në darkërat e tij me oficerët maqedonas, i duhej të fliste një dialekt të vjetër shqiptar’. Ndaj, është arësye e thjeshtë që ndryshe nga gjuhët e tjera, shqipja ka ngjashmëri bindëse me të folmen e Hunzës. Në rend të parë, ngjashmëritë përforcohen nga elementi gjuhësor i Hunzës. Emërtimi i përgjithshëm i Hunzës ka një kuptim bindës në shqip sepse ‘Hunzë’ do të thotë hundë e vogël/hundëz. Sipas Aristidh Kolës, lugina mbyllet me një thellësi fushore në trajtë hunde. Një vend tjetër moçalor-baltor quhet ‘Balta’, madje edhe vetë kryeqendra e Hunzës quhet Baltit. Vetë gjuha burush lidhet me fjalën shqipe ‘burrë/mashkull’ që ka një sfond edhe më të sigurt shkencor. Thamë edhe më sipër, se ushtarët e Lekës së Madh janë martuar me gra vendase që flisnin gjuhë tjera, ndaj gjuha iliro-maqedonase qe gjuhë veç e burrave, pra gjuhë burrash - burush. Burrat hunzakë veshin një kostum të quajtur ‘Shallvare’ (nga shqipja: shallë e varur), ndërsa gratë veshin një bluzë të quajtur ‘Kamishë’ (shqip: këmishë). Sipas një artikulli nga Saimir Lolja në leksikun gjuhësor të hunzakëve përdoren edhe fjalë të tilla si: ‘bubullima’, ‘çila’, ‘kurban’, ‘beson’, ‘hunda’, ‘ballkon’, ‘kullse’, foljet ‘kam’, ‘baj’, ‘dua’ në zgjedhimet e tyre, etj. Mali më i lartë në Hunzë është Rakaposhi që mund të dëshifrohet bindshëm përmes shqipes si: ‘Ra kah poshtë’ që i i përgjigjet natyrës së këtij mali ku shkëputen copëza të mëdha akulli e orteqe bore. Një mal tjetër më në veri të Hunzës quhet ‘Bubullimating’(6000m lartësi) që gjasshmërisht mund të lidhet me etimonin onomatop të shqipes ‘bubullim’.
Por, ngjashmëritë nuk sosen këtu. Edhe një pjesë e mirë e traditave të hunzakëve i përngjasojnë atyre të shqiptarëve. Vallja më e njohur e hunzakëve është vallja e shpatave që luhet sall nga burrat shoqëruar nga daullet dhe fyejt. Sipas mendimit të një etnologu, vallja në formë rrethi nuk është edhe aq karakteristike për Azinë, gjë që padyshim shpreh një kënd tjetër të prejardhjes së hunzakëve nga Europa Juglindore. Festa më e rëndësishme është Viti i Ri diellor me 21 Mars që njihet si kremtja ‘Na Urosh’ që rrjedh nga folja shqipe ‘uroj’ në mënyrën dëshirore. Drejtuesi i Hunzës quhet ‘Mir’ që afron me fjalën shqipe ‘I mirë’ pra njeri i mirë dhe i drejtë/pleqnar. Gjithashtu është shumë me vend të përmendet se në Hunzë rritet një lloj qeni i cili për nga pamja e jashtme është i ngjashëm me qenin endemik të Sharrit ose pastorin ilir. Nga tërë kjo që përshkruam nxirret një porosi e qartë: Shteti shqiptar dhe Akademia e Shkencave duhet që sa më parë të mundësojnë një ekspeditë gjuhëtarësh, antropologësh e etnologësh që të qëmtojë kombësinë ‘burushe’ dhe veçmas gjuhën e doket e tyre.
Kjo do të ishte një mbrojtje e së vërtetës nga vërshimi keqinformues i propagandës sllavomaqedonase të cilët rropatën që hunzakët t’i manipulojnë duke i bërë me detyrim ‘kushërinj’ me sllavomaqedonasit. Madje, për çudinë më të madhe, në Korrik 2008 biznismenët sllavomaqedon mundësuan ardhjen e një delegacioni hunzakësh në Maqedoni. Është interesant për t’u vënë në dukje ku qëndron hilja dhe hipokrizia sllavomaqedonase. Ata i dërguan hunzakët në vendet arkeologjike të Maqedonisë Perëndimore që në fakt janë vend-ndodhje historike shqiptare. Duke i përdorur si karta të tyre trashëgiminë tonë historike, sllavomaqedonasit gjakonin që t’i bindnin hunzakët se janë të ‘afërt’ me ta, duke ua fshehur faktin se dikush tjetër është pronar i asaj trashëgimie historike të cilën ua paraqitën hunzakëve. Madje, sllavomaqedonasit bëjnë plane edhe më afatgjata. Instituti i Maqedonisë paralajmëroi se në Pakistan do ta ndërtojë një qendër ‘kulturore’ sllavomaqedonase.
 
                                     Kalashët
 
Kalashët (Kalasha) janë një tjetër fis në malet e Hindukushit me kombësi të pavarur që rron në krahinën afgane të Nuristanit dhe në atë pakistaneze të Çitralit në pjesën veriperëndimore të Pakistanit (në luginat Bumburet, Rumbur dhe Birir). Sipas regjistrimit të vitit 1998, kalashët janë vlerësuar si një popullsi prej 3660 banorësh. Të tjera vlerësime këtë shifër e afrojnë deri në 4000 sish. Paolo Graciozi, profesor i antropologjisë dhe parahistorisë në Universitetin e Firences në një artikull të botuar në një revistë londineze më 1963 thotë se kalashët kanë trajta të pastra europiano-mesdhetare, më saktësisht me ato të njerëzve alpin. Ai, kalashët i përshkruan si njerëz me lëkurë të bardhë, tipare të rregullta të fytyrës dhe shtat të hedhur. Populli kalash është i veçantë në mbarë rajonin si për nga veshjet, doket e feja. Kjo kombësi gjykohet si popullata e vetme pagane në këtë rajon të islamizuar. Kjo popullsi i ka bërë qëndresë të thekshme kalimit në islam të cytur nga pushtuesit arab, ndaj edhe sot e kësaj dite kalashët quhen ‘qafirë’, kategorizim që muslimanët ua bëjnë ‘pabesimtarëve’. Më vonë, kur një pjesë e kalashëve u islamizua, vendi i kalashëve që deri dikur quhej ‘Qafiristan’ u rimërua si ‘Nuristan’ (vend i dritës). Por, kjo nuk ia tjetërsoi aspak karakterin kombëtar dhe fetar të kalashëve, ngase ata fermentojnë dhe pijnë verë (që quhet vepër ‘haram’ në islam). Një tjetër fakt që përforcon karakterin joislam të kalashëve dhe mendësisë shoqërore të tyre është ndër të tjerash edhe ky zakon: vajzat janë të lira të zgjedhin burrin e vet dhe kanë të drejtë të kërkojnë shkurorëzim. Tjetra veçanti e kalashëve është se ata s’bëjnë dallime gjinore sikurse fqinjët e tyre muslimanë që hanë, flenë, punojnë ndaras meshkujt nga femrat. Vërehet qartë, se kalashët ndonëse kanë pësuar ndrydhje kulturore nga të tjerët, ata e kanë ruajtur në një masë të shëndoshë pastërtinë raciale, meqë edhe sot vazhdojnë t’i bëjnë martesat vetëm brenda bashkësisë së tyre.

 

Fig 3. Shtrija gjeografike e kalashëve:Nuristan/Afganistan dhe provinca Çitral e Pakistanit

 

Fig 4 dhe 5 Fëmijë të bardhë kalash

   Origjina e kalashëve

Origjina e kalashëve vazhdon të jetë e kredhur në pellgun e së panjohurës dhe pikëpyetjeve të mëdha. Kalashët në traditën e tyre gojore të përcjellë brez pas brezi, vazhdojnë ta quajnë veten pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Pikëpamja tjetër e kundërt është ajo që pohon se kalashët janë popullsi që ka shtegëtuar nga Nepali Perëndimor, bazuar në ca trajta budiste. Mendimi më i pranuar nga të gjithë është se kalashët kanë një fe “greko”-sanskrite. E futëm në thonjëza fjalën grek meqë në këtë mes s’bëhët fjalë për kurrfarë feje greke por për një fe burimore pellazge, besimi shpirtëror i të gjitha popullsive të trungut pellazg: ilirëve, thrakëve, maqedonasve, epirotëve. Ndaj, pretendimet për një origjinë ‘greke’ të kalashëve nuk qëndrojnë. Një gjë është mëse e saktësuar nga provat kulturore se kalashët nuk janë popullsi rrënjëse në këto treva, por janë ardhës pikërisht nga Europa Juglindore.
Ekzistojnë prova të shumta të ngulimeve të ushtrisë së Lekës së Madh rrëzë këtyre viseve. Një ndër to është edhe qenësia e disa qyteteve të themeluara dora vetë nga Leka i Madh, siç është rasti i qytetit të Kandaharit (Afganistani i sotëm). ‘Kandahar’ nuk është gjë tjetër veçse një kalim lindor i emrit ‘Aleksandër’. Një qytet tjetër i epokës së Lekës është edhe ai i gjetur në gërmadhat buzë lumit Amu Darya. Interesant është se kalashët vijojnë ende ta ruajnë kujtimin e kohërave të lashta kur ishin të edukuar dhe arsimuar, derisa librat e tyre u dogjën nga pushtuesit barbar e mongol. Sot e kësaj dite, kalashët i falen me përkushtim perëndive të tyre që janë veçse trajta të perëndive pellazge si Zeusi, Afërdita, Apolloni, etj. Kryeperëndia i tyre është ‘Dezao’ i cili sipas Aristidh Kolës zbërthehet shkencërisht në ‘Dhias - Zeus’. Perëndi të tjera janë edhe ‘Mahadeon’ dhe ‘Abalomain’ (Apollon) i cili ka simbolet e njëjta me ato të Apollonit pellazg: dielli e drita. Tryezat dhe karriget, kalashët i gdhendin me yje dhe diej, simbole që janë të përafërta me ato të maqedonasve të lashtë. Mbi qemere dyersh, kalashët skalisin dy brirë dhie - kujtim i stërgjyshit epik Leka i Madh. Një fakt tjetër që dëshmon për rrënjët pellazge të kalashëve është ky zakon sa i çuditshëm aq edhe i veçantë: edhe në rast vdekjesh, kalashët mblidhen së toku burra e gra duke hedhur valle e kënduar. Siç shkruan edhe Robert D’Angely, edhe trakasit e moçëm kishin një zakon të atillë.
Kalashët kërcejnë në formë rrethi vallet e tyre. Të kërcesh në fromë rrethore nuk është e zakonshme në Azi, thotë studiues i kalashëve. Gulliam Darlling, një studiues i përkushtuar pas kalashëve thekson se në gojëdhënat kalashe “Tsiam” është vendlindja e kombësisë së tyre ku shpresojnë së do të kthehen një ditë. Në kohën e shirave të stërzgjatura pranverore ose vjeshtore kur jeta vështirsohet së tepërmi si për njerëzit ashtu dhe për kafshët, kalashët dalin në male dhe këndojnë një këngë të lashtë: ‘O Deziao, nëse këto shira s’do të rreshtin/ ne s’do të mund të mbajmë dushkun e gjelbër e të lulëzuar/ne nuk do të rrojmë dhe gjatë këtu/ne do të kthehemi në tokët stërgjyshore në Tsiam; (Përkthim i lirë).
Qarkullojnë dhjetëra mendime të ndryshme në lidhje me vendndodhjen e saktë të “Tsiam”, vendit legjendar të kalashëve. Disa mendojnë se ai ndodhet në qytetin Çaga Serai në Afganistanin lindor, disa të tjerë vendodhjen e shohin afër një qendre budiste ‘Jarkhan’ në Ksiniang në përëndim të Kinës, të tjerët e bartin në Tsiam të Tibetit. Ndërsa, Aristidh Kola mendon se vendndodhja burimore e kalashëve është tek lumi i lashtë thesprotas ‘Thiamis’, prej nga rrjedh edhe vetë emri i Çamërisë. ‘Tsiam’ domethënë Çam.  Duket se kjo teori e Kolës ka një bazë argumentësh duke filluar së pari nga elementi fetar i kalashëve që është i barasvlershëm me atë pellazg të Dodonës; elementi i zakonor dhe dokësor: flijimet në emër të perëndive, gdhendja e yjeve dhe diejve maqedonas, vallet rrethore, kësulat dhe pelerinat e ngjashme me ato të maqedonasve të lashtë dhe loja e pollos që luhet hipur në kuaj, e cila mendohet se është praktikuar nga ushtarët maqedonas të Lekës së Madh. Këngët e këtyre popullsive janë të njëllojta me këngët e vjetra që i kam dëgjuar në Greqinë Veriperëndimore, thotë Atanasios Lerounis, një vëzhgues i dërguar nga Athina. Por, ky “interesim” i zellshëm grek duket sikur ka një prirje për ta helenizuar gjithçka ka të bëjë me përkatësinë e njëmëndët të kalashëve. Qe shtatë vite me rradhë ‘mësues vullnetarë’ të paguar nga Athina po qëndrojnë në fshatrat kalashe gjoja për ta ngritur mirëqenien e jetesës së kalashëve! Ata përmes ndërtimit të shkollave, ujësjellsve dhe ambulancave po përçapen që kalashave t’ua huajësojnë origjinën pellazge në një origjinë të rrejshme helene.
 
 
©Salih Mehmeti - Korrik 2009, Prishtinë - Për çdo pyetje, kritikë, vërejtje apo sugjerim kontaktojeni autorin në: salih.mehmeti@gmail.com
 
 
powered by Beepworld