NË FOKUS TË HISTORIANIT

 LËVIZJA PËR LIRIMIN E TOKAVE SHQIPTARE PARARENDËSE E UÇK’së

Shkruan: Prof.Dr.Muhamet Pirraku 

===============================================================

Mbrojtja Kombëtare e Kosovës sipas organizimit strategjik të Lidhjes II të Prizrenit mori goditjet vendimtare aty nga mesi i nëntorit 1944. Vetëm pak persona të devotshëm mbeten në arrati me pushkë në dorë, kundër robërisë. Dhe, momenti historik diktoi nevojën e lidhjes të këtyre personaliteteve në organizim politik e luftarak antijugosllav me frymë demokratike çlirimtare shqiptare. Me burime dhe kujtesë historike të revalorizuar shkencërisht vërtetohet se detyra e flamurtarit të bashkimit të këtij faktori i takoi Mulla Idris Gjilanit, i cili në Komplotin e Roganës, më 13 nëntor 1944, lëshoi betimin kushtrimor: “Njëqind vjet n’i paça jetë, të gjitha kam për t’i kaluar kaçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë…!”

Fillet e këtij organizimi, që solli në Kuvendin e Terpezës, të l dhjetorit 1944, ku u rrumbullakësuan përpjekjet për ngritjen e Shtabit Suprem të Kosovës, për udhëheqjen politike e ushtarake të Lëvizjes së Rrezistencës Shqiptare, i hasim në Kuvendin e Suharnës në Hashani, më 17 nëntor 1944. Programin e kësaj Lëvizje, amanet për brezat, ngërtheu Fjala e Mulla Idrisit: ”Hëpërhë, zgjidhja e çështjes së bashkimit dhe të lirisë së Shqipërisë Etnike u vulos me tradhtinë e komunistëve shqiptarë, aleatë politikë e luftarakë të sllavo-komunistëve pasllavistë, por ideja për Shqipërinë e bashkuar dhe të lirë mbi programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e mbjellë në ndërgjegjën shqiptare të Kosovës duhet të ruhet edhe me sakrifica mbinjerëzore, duke i bërë kurban të kësaj ideje evladët, familjet, miqtë dhe vetën…!”

Kuvendi i Tërpezës, i datës 1 prill 1944, ishte si një vazhdim i Kuvendit të Plitkoviqit, të 28 nëntorit 1944, në të cilin kishin marrë pjesë përfaqësuesit e ish-“Grupit Intelektual të Prishtinës”, të Komitetit “Rinija Nacjonaliste për Mbrojtjen e Kosovës”, të “Batalionit të Rinisë Nacijonaliste ‘Nazim Gafurri’ të Prishtinës” dhe ish-përfaqësues të shtabeve të Zonës III të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës: Adem Gllavica, Ibrahim Këlmendi, Luan Gashi, Abdyl e Mustafë Henci, Hamdi e Shemsi Mramori, Selim Maçastena, Januz Bajçinoci, Qazim Llugaxhia, Ismail Gorani, Rexhep Okllapi, Bahtir Dumnica etj.

Kuvendi i përfaqësuesve të Lëvizjes së Rrezietencës Shqiptare i 1 dhjetorit 1944 për komandant të Shtabit Suprem të Kosovës e emëroi agronomin Adem Selim Gllavica, kurse për zëvendës të tij mekanikun Qazim Sefë Llugaxhinë. Kuvendi kishte aprovuar një Rezolutë dhe një afishe të cilat përfundonin me thirrjen: “Rroftë Shqipëria…!”

Brutaliteti i ushtrisë partizane jugosllave e shqiptare kundër pjesëtarëve të Lëvizjes së Rrezistencës Shqiptare pas Luftës së Ferizajt të 2 dhjetorit 1944 solli masivizimin e rrezistencës së armatosur dhe disfatën e ushtrisë jugosllave maqedono-serbe të shënuar me Luftën e Desivojcës, më 19 dhe 20 dhjetor, të pasuar me Sulmin në Gjilan, më 23 dhjetor 1944. Këto dy ngjarje ndikuan në ndërgjegjësimin kombëtar në radhët partizane e kominterniste shqiptare dhe në ndërgjegjësimin politik anglo-amerikan në dobi të afirmimit dhe të ndërkombëtarizimit të kërkesave shqiptare për të drejtën e Kosovës dhe të kombit shqiptar në vetëvendosje.

Në uljen e çmimit të luftës shqiptare për këtë të drejtë ndikoi fuqimisht koncepti i internacionalizmit proletar kominternist të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Argument për këtë është dialogu i Mulla Idrizit me Shqfqet Peçin, më 29 dhjetor 1944, në Male të Zhegocit. Në pyetjen e Shefqet Peçit: “Pse luftoni e derdhni gjak kot, mbasi porsa të stabilizohet gjendja, Kosova dhe gjithë viset shqiptare të Jugosllavisë pa tjetër do të bashkohen me Shqipni, gja për të cilën mund të jeni fare të sigurt…?” Mulla Idrisi, duke iu drejtuar bashkëluftëtarëve përcjellës, midis të tjerash, ia la mallkimin e namën UANÇSH-së për robërinë jugosllave kominterniste që po i vihej Kosovës.

Therksoi: ”Mo’ Zot ma keq për ne - edhe vllaznit t’anë shqiptarë të Shqipnisë së lirë, kanë ardhë me i ndihmue Titos dhe shqeve të Jugosllavisë, të cilët po duen me i marrë rishtas vendet tona dhe me na ba ne, ndër shtëpiat t’ona, skllav e rrogtarë të tyne, ase me na zhdukë e me na qitë fare, ah…i mjeri unë dhe bashkë me mue edhe Ju trima të mjerë, lufta jonë ka mbarue e veç Zoti na pagoftë, perse me derdhë gjakë e me luftue me bijt e nji nane dhe me vllaznit e nji gjaku e nji gjuhe, kuku medet për ne!, se na pushkë për me luftue me Serbet e Malazezet dhe Maqedonasit e tjerë bijë të shkinave kemi pasë dhe kemi, por pushkë për me u vra shqiptari me shqiptar nuk kemi. Ma bani hallall bre luftarë trima dhe Zotynë e shpëtoftë Shqipninë e Kosovën e mjerë…!”

Gjama e Mulla Idrisit ishte një hap tjetër në fushë të internacionalizimit të Çështjes së Kosovës si Çështje gjithëshqiptare. Më 28 janar 1945, në jehonën e Revoltës së Shaban Palluzhës dhe të Luftës së Drenicës (21 janar - 21 shkurt 1945), u ngrit Komiteti Qendror i Organizatës Nacionaldemokratike Shqiptare me seli në Shkup, në të cilën u shkri Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Dervenit. Nuk vonoi dhe Shtabi Suprem i Kosovës vuri lidhje organizative të ngushtë me Komitetin Qendror të NDSH-së me anë të prof. Ibrahim Kelmendit dhe, deri në mars të vitit 1945, të thuash e bashkoi aktivitetin politik e luftarak me aktivitetin politik e diplomatik të Komitetit Qendror të NDSH-së, i cili tashti synonte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare etnike jashtë Shqipërisë londineze. Në mbajtjen e lidhjeve midis Shtabit Suprem të Kosovës dhe Komitetit Qendror të NDSH-së pati një rol të rëndësishëm edhe Hysen Terpeza me lidhjet e tij të ngushta me ish-antifashistin Tefik Halid Shemsiun të Tanushes së Kopilakës, djepi që rriti Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila po e pasuron historinë më të lavdishme të popullit tonë.

Nga fundi i qershorit 1945 prof. Ibrahim Këlmendi organizoi një takim të Shtabit Suprem të Kosovës me Komitetin Qendror të NDSH-së në Kopilakë. Komitetin Qendror të LNDSH të Shkupit e përfaqësuen: Kemail Skënderi dhe Mexhid Zyberi. U arrit marrëveshja për bashkëshkrirjen e Shtabit Suprem të Kosovës në organizëm ushtarak të Organizatës së LNDSH-së dhe u aprovua kërkesa e Muharrem Bajraktarit të Lumës për thirrjen e një konferenceje të përfaqësuesve të Lëvizjes së Rrezistencës Shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste, me rëndësinë e një kongresi. Kjo konferencë do të mbahet më 15 dhe 16 gusht 1945, në Kopilakë, në Shtëpinë e Zylbeharit .

Sipas informatave të ndryshme, në Kopilakë kishin arritur rreth 500 pjesëtarë të Lëvizjes së Rrezistencës Shqiptare, kurse personalitetet më të shquara, ishin: Adem Gllavica, Ibrahim Këlmendi, Luan Gashi, Hysen Terpeza, Hasan Kabashi, Din Hoxha, Bajrush Xhakli, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti, Qazim Llugaxhia, Qazim Zekëbasha, Sylë Hotla, Hajriz Kajolli. Këtu ishte edhe përfaqësuesi i Mulla Idrisit, Salih Gjyrisheci, kurse Komitetin Qendror të NDSH-së e përfaqësuen: Kemail Skënderi, Mexhid Zyberi dhe Xhemail Qazimi. Kjo konferencë do të trajtohet si Kongresi III i Ballit Kombëtar, kurse ndër vendimet më të rënësidhme të tij, janë: Lëvizja e Rrezistencës Shqiptare Antijugosllave, Lëvizja e Ballit Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Lëvisja Nacionale Demokratike Shqiptare etj., të quhen me emërin: “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”- LpLTSH, së këndejmi edhe Kongresi i Kopilakës - Kongri I i LpLTSH-së; forcat e armatosura të saj të quheshin ”Ushtri Popullore Demokratike Shqiptare”, kurse Shtabi Suprem i Kosovës të quhej “Shtab i Luftës”. Për komandant të tij u emërua Hysen Terpeza, ndërkaq Adem Gllavicës iu besua roli i eminencës së kaltërt në Lëvizje, një si komesar politik në Shtab të Luftës, kurse Ibrahim Këlmendi e Luan Gashi u ngarkuan me propagandë e lidhje me faktorin e jashtëm, përmes Konsullatës së Turqisë e Konsullatës së Anglisë në Shkup, për ndërkombëtarizimin e Çështjes së Kosovës si Çështje shqiptare e pazgjidhur.

Kongresi I(III) i LpLTSH-së aprovoi platformën politike të një Thirrjeje, e cila duhej t’i drejtohej popullit shqiptar dhe opinionit botëror, e me të cilën duhej të denoncohej e të hidhej vendimi farsë i Kuvendit të Prizrenit të Këshillit Krahinor të Kosovës të datës 8 - 10 korrik 1945, sipas të cilit kinse Kosova me “vullnet” i bashkohej Serbisë Federale. Dokumentin do ta hartojë Adem Gllavica dhe do ta aprovojë Shtabi i Luftës i LpLTSH-së në një takim në Male të Mirashit.

Me të dhëna të verifikuara mirë mund të vërtetohet se dokumentin me titull “PROKLAMATË” për botim e përgatitën personalitetet themeluesë të Komitetit Qendror të Organizatës së NDSH-së: Azem Morana, Hasan Bilalli e Abdyl Kerimi, arsimtarë në Kursin Pedagogjik të Shkollës Shqiptare në Shkup në prani të Abdullah Muslisë, i cilili edhe mori pjesë në shpërndarjen e saj, në fillim të tetorit 1945. Proklamata pasqyroi gjenocidin kanibalist serb mbi shqiptarët nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri në kalvarizimin e rekrutëve shqiptarë për UNÇJ-në dhe Plojën e Tivarit të 1 prillit 1945, e me forcë të argumenteve historike hodhi poshtë çdo mundësi për jetë shtetërore shqiptare me serbët, malazeztë e maqedonët dhe afirmoi e ndërkombëtarizoi kërkesat e Kosovës dhe të popullit shqiptar për vetëvendosje dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike, ku shqiptarët banonin vise kompakte 85-100%.

Duke iu drejtuar kominternistëve shqiptarë, theksonin: “Nuk habitemi nga serbët dhe malazeztë. E kemi ditur se ata, nëse nuk janë imperialistët shovinistë të egjër të viteve 1878, 1912 dhe 1918 janë të bijtë e tyre, të cilët dinë të bëjnë plane të përkryera më moderne dhe më djallëzore. Natyrisht ‘Ujku qimen e ndërron, por vesin kurrsesi”.

Duke vë në shënjestër tradhtinë e luftës antifashiste komuniste ndaj shqiptarëve, theksonin: “Midis të tjerave që neve na ka interesuar më së shumti është deklarimi publik: ‘Populli do të vendos lirisht se me cilën dëshiron, me Shqipërinë, Jugosllavinë, ose i pavarur’. Populli është shumë i kënaqur me këto deklarata dhe ka ëndërruar se më në fund, pas kaq shekujve të robërisë, do të fitojë lirinë e vërtetë…Populli me padurim e ka pritur që lirisht të shpreh dëshirën e vetë, e cila është dhe e cila gjithmonë ka për të qenë: Bashkimi definitiv dhe i përjetshëm me Shqipërinë!”

Në dokuemt, konstatohej se “Këtë dëshirë, këtë të drejtë, e quajnë shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm!?! Ajo që kurrë askund në botë nuk ka ngjarë, ndodhë dhe ende lejohet në Ballkan. Më shumë shqiptarë jetojnë nën sundimin e huaj se sa brenda shtetit shqiptar!?! Kjo politikë e padrejtë dhe mëtutje po vazhdon, lejohet dhe ndihmohet nga çlirimtarët e popujve”.

Dhe, përfundonin: “Të lirë në Malet tona të Lira jemi të autorizuar të shpallim dëshirën e vërtetë të popullit shqiptar të Kosovës (…): Dëshira jonë e vërtetë është bashkimi me Shqipërinë! Ne dëshirojmë të jemi të bashkuar me vëllezërit tanë në Shqipëri, pa marrë parasysh regjimin që do të jetë në atë, me ligje të njëjta dhe nën kushte të njëjta materiale dhe morale. Duke ia zgjatur dorën njëri-tjetrit sa më shpejtë ne do t’i hedhim vargonjtë e errësirës e të robërisë dhe frikën nga terrori, të cilin e kemi përjetuar nga okupatorë të ndryshëm dhe prej kuislingëve beogradas e prizrenas të sotëm. Ne nuk jemi kundër një ideologjie dhe nuk luftojmë për asnjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistimin e popullit shqiptar. Ekzistenca jonë mund të sigurohet vetëm në shtetin shqiptar, i cili në kufijtë e vetë do të kishte të gjithë shqiptarët. Sa i përket pakicës anase serbe, e cila është vendosur në vendet me shumicë shqiptare, deklarojmë se kanë për t’iu njohur dhe ka për t’i gëzuar të drejtat e njëjta dhe se nuk do të dallohen nga shqiptarët. Dhe, parulla e fundit ishte ajo me të cilën ishte mbyllur Rezoluta e Kuvendit Themelues të Shtabit Suprem të Kosovës, më 1 dhjetor 1944, në Terpezë të Moravës së e Epërme: “Rroftë Shqipëria…!”- Kërkesë kjo permanente e të gjitha brezave shqiptare.

Proklamata e Shtabit Suprem të Kosovës e tetorit 1945 ishte program i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare deri në Kongresin e Dytë të LpLTSH, më 1 qershor 1996, në Shkup. Në këtë Kongres morën pjesë vetëm 12 anëtarë të Komitetit Qendruer me të drejtë vote për një, dy, tri e më shumë komitete të NDSH-së – LpLTSH-së dhe Luan Gashi, tashti sekretar i Partisë Balli Kombëtar Demokratik në Peruxha të Italisë. Për këtë shkak ky kongres do të njihet edhe si Kongres i Pestë i Ballit Kombëtar.

Kongresi i Shkupit punoi në konspiracion të thellë. Në Komitetin Qendruer të riformuar u zgjodhën veprimtarët politikë: Halim Orana, Kemail Skënderi, Azem Morana, Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Hamdi Berisha, Hysni Rydi, Mehmet Dumani, Osman Cami, Mit’hat Tërshana, Hasan Billalli dhe Haki Efendi Hogoshi. Komiteti Qendruer emëroi trupin drejtues-ekzekutiv të quajtur Sekretariati i Komitetit Qendruer me Halim Oranën kryetar, Kemail Skënderin zëvëndëskryetar dhe Azem Moranën sekretar. Kongresi miratoi dokumentet: “SHEMËN E ORGANIZIMIT” dhe “PROGRAMIN E LËVIZJES”, të cilat paraqesin kornizat statutare dhe programatike më koncize të një organizateje politiko-ushtarake shqiptare nga periudha e Rilindjes deri sot. Ky është dokumenti i njohur më i rëndësishëm i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, me rëndësi edhe për aktualitetin politik, megjithatë këtu sollëm vetëm pjesën e dokumentit: “Programi i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” në pesë pika:

1. Liri dhe pamvarsi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të çfaqun lirisht.

2. Nën toka Shqiptare kuptohen krejt vendet ku banojnë shqiptarët në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush asht i pushtuem.

3. Lëvizja nuk ka qendrim anmiqsuer kundër asnji populli fqij as kundër partije politike vetem insiston në mënyrë kulturale dhe me armë do të përpiqet m’i arrijtë idealit shekullor të kombit Shqiptar qi të jetë i lirë dhe vetsundues në shtet të vet me kufij ethnik.

4. Mbasi të vendosen kufijt ethnik, pa marr parasysh tjerat kushte të kufijve si janë ato: strategjik, ekonomik, politik etj., në mënyrë miqsore do të shkembehet popullata e pakicave nacionale, tue i terheq Shqiptaret qi do të mbetin jasht kufijve në vend t’atyne qi do të shperngulen dhe do të përcjellen jasht.

5. Në kohë paqe Lëvizja nuk do të pushoj por do të vazhdoj si shërbim roje të drejtave të popullit Shqiptar, si t’atyne të mbrendshme, ashtu edhe t’atyne të jashtmve, ndërkomtare, tue u-organizue për regjim me të vërtetë demokratik dhe për relacione miqsore me popujt fqi Ballkanik”. Shema Organizative dhe Programi i Lëvizjes përmbylleshin me konstatimin “Nga Kongresi i Katërt i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”: “Rroftë Shqipnija e vërtetë në kufijt e sajë ethnike!”

Jehona dhe rëndësia historike e vendimeve të Kongresit II (IV) është e madhe, por jeta e LpLTSH pas Kongresit të Shkupit është shumë e shkurtër. Këso kohe Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare kishte lidhur për vete, politikisht dhe me pushkë në dorë, rreth 30 mijë shqiptarë. Kjo e frikësoi okupatorin dhe e shtrengoi të marrte masat për ta thye LpLTSH me të gjitha mjetet që dispononte. LpLTSH me qellim që të riorganizohej ushtarakisht për të përballuar Oznën dhe ushtrinë jugosllave, e ftoi Kongresin III (V) për 25 korrik 1946. Këtë Kongres e përgatiti Shtabi i Zonës II e LpLTSH-së me seli në Drenicë, e drejtuar nga Ajet Gurguri, Mulla Arif Shala dhe prof. Gjon Serreqi. Kongresi u mbajt në malin Blinajë në rrethana të rrethimit të hekurt ushtarak e policor jugosllav, në një kohë kur në duart e OZN’ës kishte rënë i tërë Komitetit Qendror i LpLTSH’ës dhe anëtarët e shumë komiteteve qarkore e vendore. Në rrethana të tilla, Kongresi mori vendim për përballimin e ushtrisë jugosllave në grupe të vogla. Kjo bëri që LpLTSH-ja të gjallojë fiizikisht deri më 15 janar 1951, kur u likuidua ideologu dhe luftëtari i saj i devotshëm, juristi Ibrahim Lutfiu.

Para se të përfundojmë me lejoni të sjellë para Jush edhe të vërtetën historike: Prej vitit 1951 të gjitha lëvizjet shqiptare antijugosllave, të gjitha organizatat politike ilegale, kanë qenë të frymëzuara dhe të ndihmuara nga Shqipëria zyrtare. Tirana ishte Meka e shqiptarisë së rinisë e të burrërisë shqiptare të shqiptarëve nën robërinë jugosllave. Më ndjeni me burrëri. Jam historian dhe veprimtar i lëvizjes së nëntokës shqiptare antijugosllave nga klasa e dytë e shkollës së mesme, data 10 tetor 1960. E di se çka flasë sot, që të mos na bëhet vonë nesër, për të na gjykuar dëshmorët dhe martirët e lirisë. E ‘68-ta e famshme, e ‘81-ta madhështore, e ‘90-ta e Lëvizjës së Pajtimit Kombëtar përmes faljes së hasmërive - sollën në UÇK-në kreshnike. Ju kujtohet betimi në Kuvendet e Pajtimit. Kjo rrugë jona luftarake për liri u frymëzua dhe u përkrah nga Shqipëria zyrtare me të gjitha mundësitë e saj deri në buzën për të mos e humbur edhe atë troh shtet, shpresë e ardhmërisë shqiptare të shqipfolësve.

Djemtë dhe vajzatë e popullit shqiptar nën robërinë jugosllave sakrifikuan rininë, jetën në kazamatët jugosllave, dhe këta e përgatitën çlirimin, këta e ngritën dhe e drejtuan luftën dhe diplomacinë e UÇK-së të mbështetur fuqimisht, si biri në prindin, në Shqipërinë zyrtare. Këta e bënë luftën çlirimtare në Kosovën Lindore dhe këta po e bëjnë luftën çlirimtare në Iliridë. Këtë e din dhe po e thotë qartë bota antishqiptare. A kemi vesh për të dëgjuar?!

Këtu qëndron fakti pse forcat politike antiuçëkë të thënça shqiptare shajnë e përshajnë Tiranën zyrtare edhe tashti kur në zgjedhjet e fundit të Shqipërisë fitoi kontinuiteti shtetëror. Këto forca tashti janë krekosur dhe po i fryjnë propagandës për të grabitur votën e masave liridashëse me mbështetje të fuqishme në faktorin e huaj, antishqiptar, me bollëk në mjediset tona. Fitoreja e tyre, e dëshiruar nga pushtetet antishqiptare, do të forcojë murin ndarës aktual midis amullisë politike shqiptare antiuçëkë dhe Tiranës zyrtare, pushtetin e ardhshëm të quajtur për onomasi politik - qendror të Kosovës, do ta mbajë larg pushtetit qendror të Shqipërisë, mëmë jona e përdhunuar nga bota antishqiptare për të vetmin faj pse ajo nuk don të harrojë të bijtë e ndarë.

Ndaj, vëllezër!

Gjaku i kurbanëve të Atdheut, të Lirisë dhe të shqiptarisë sa vjen e po na thërret fortë e më fortë: Vetëm të bashkuar përreth Flamurit të përbashkuar në Stemën e UÇK-së të mbjellë thellësisht në ndërgjegjen tonë shqiptare, mund ta plotësojmë amanetin e dëshmorëve dhe të martirëve, mund të sigurojmë ardhmëninë e Kosovës, shkëputjen definitive nga Serbia, pavarësinë e Kosovës si hap më të sigurtë drejt zgjidhjes së Çështjes shqiptare pezull, afrimin me Nanën Shqipëri! Më në fund, bashkimi i Shqipërisë natyrore i paevitueshëm.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të të gjitha luftërave tona për liri dhe Shqipëri - Idealet amanet të mos ua shkelim!

Kaçanik, 4 gusht 2001

 

powered by Beepworld