Ekskluzivisht për faqen www.pashtriku.org

 

Me rastin e 20 vjetorit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë

 

LËVIZJA E PAJTIMIT PËR LIRI

2 shkurt 1990 - 17 maj 1992 

 

 

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Pirraku

 

 

 

 

Në historinë e popujve ka lëvizje që shënojnë pika kritike binarkthyese midis dy periudhave në shtratin e përpjekjeve për çlirim social, shoqëror e kombëtar[1]. Një lëvizje e tillë me rëndësi historike për shqiptarët është Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, e filluar më 2 shkurt 1990 dhe e mbyllur më 17 maj 1992. Kjo lëvizje shënon fundin e Lëvizjes demokratike e revolucionare të organizatave ilegale shqiptare dyzetepesëvjeçare dhe fillimin e Lëvizjes legale politike demokratike për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm[2].

Lëvizja paqekrijuese ndërshqiptare, shfaqur në skenën historike në fillim të shkurtit 1990, është formë intelektuale civilizuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare demokratike jashtë Shqipërisë londineze, në kundërvënie tendencave serbomëdha që kishin për qëllim shfuqizimin e statusit autonom të Kosovës dhe aneksimin e saj Serbisë së Madhe.[3] Detonator i kësaj Lëvizjeje ishte Revolta e minatorëve të Kombinatit Metalurgjik «Trepça» në Stantërg, e datës 17 nëntor 1988, kundër eksploatimit kolonial të Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia. Kjo revoltë, më 18 nëntor 1988, u kthye në Marshin historik të minatorëve të «Trepçës» për në Prishtinë, duke çarë kordonët e njësive të policisë speciale të Jugosllavisë[4]. Marshit të minatorëve në Mitrovicë, Vushtrri dhe Prishtinë iu bashkuan qindra mijëra punëtorë, qytetarë, nxënës e studentë. Kështu, «Ato ditë të gjitha rrugët shpinin në Prishtinë. Ishin shndërruar në lumenj njerëzish...»[5].

Lëvizja vazhdoi e manifestuar në varrime të të vrarëve nga pushteti dhe në tubime protestuese në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, si bazë mbi të cilën do të ngrihej e drejta shqiptare për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike[6].

Fillimi i dhjetëditëshit të tretë të shkurtit 1989, së këndejmi, do të shënojë, realisht, fillimin e kundërvënies shqiptare njësive speciale ushtarake e policore të blinduara të pushtuesit jugosllav. Kjo luftë, prapë, zuri fillin me Grevën e Madhe, tetëditëshe, të minatorëve të “Trepçës” dhe të mbarë Kosovës, të datës 20-28 shkurt 1989, e cila ishte vazhdim i shkallës së lartë të Grevës së minatorëve të 2 e 3 shkurtit 1989, e ndërprerë me dredhi e me poshtërsi makiaveliste të pushtetmbajtësve[7]: «Thellë nga zemra e nëntokës kosovare shpërtheu si vullkan zëri i kushtrimit, zëri i arsyes dhe zëri i lirisë për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, të dinjitetit kombëtar, të gjuhës, të kulturës dhe

të gjithë asaj që është shqiptare, njerëzore, humane e internacionaliste» – do të konstatojë kronisti[8]. Këshilli drejtues i Grevës së xehetarëve hartoi njëmbëdhjetë kërkesa të grevistëve, me të cilat sublimoheshin kërkesat politike aktuale të Lëvizjes Popullore Shqiptare për Republikën e Kosovës[9], e të cilat vinin nga vitet ’60-ta. Kërkesa «Kosova–Republikë!» do të bëhet kredo e mbi 4 300 tubimeve shqiptare, nga Marshi i minatorëve më 1988, deri me aneksimin e Kosovës Jugosllavisë dhe Serbisë me puçin policor e ushtarak, të datës 23 mars 1989[10]. Me kërkesat e Grevës së Madhe të minatorëve të «Trepçës» u solidarizuan dhe u bashkuan xehetarët e minatorët e minierave të Kosovës dhe mijëra qytetarë e studentë të Kosovës[11].

Zhvillimet politike në Jugosllavi sa vinin dhe paralajmëronin një ndeshje të përgjakshme shqiptaro-jugosllave, ndaj para luftës së armatosur vinte amaneti nga tradita: krijimi i një paqeje të brendshme me një Besëlidhje shqiptare mbi bazë të faljes së gjaqeve dhe të ndalimit të hakmarrjes dhe të gjakmarrjes. Në funksion të kësaj tradite, e cila jetonte e jeton thellësisht në kujtesën historike shqiptare, minatorët, më 24 shkurt 1989,  inicuan kërkesën që në Kosovë të fillojë falja e gjaqeve. «Në atë kohë, në Kosovë ishin të mbyllura mbi 1 000 familje për arsye të rrezikut për hakmarrje»[12]. Këtë iniciativë të minatorëve e koordinoi Halil Istrefi, ndërsa Sejfedin Istrefi ia komunikoi opinionit nëpërmjet mjeteve të informimit. «Iniciativa e minatorëve për faljen e gjaqeve filloi menjëherë dhe shumë gjaqe u falën në kohën derisa ata qëndronin në minierë»[13].

Mesazhi i këtyre pajtimeve dhe Apeli i minatorëve, i hedhur në eter nëpërmjet valëve të Radio - Prishtinës nga gazetari Bejtush Gashi, bëri jehonë të madhe në fushë të arritjes së unitetit politik të shoqërisë shqiptare[14]. Mirëpo, në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, të orës policore e të shtetrrethimit, kur në Kosovë ishin sjellë mbi 100 mijë policë e forca ushtarake të motorizuara, të të gjitha gjinive, kjo do të mbetet dëshirë shqiptare në evoluim[15]. Kreu politik, policor e ushtarak i Serbisë dhe i Jugosllavisë do ta detyrojnë Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, që të jepte «pëlqimin» për ndërrime e plotësime në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, hapërim ky për në aktin e aneksimit të Kosovës Serbisë, të proklamuar në Kuvendin e Serbisë, më 28 mars 1989[16].

Populli, i indinjuar, u vu në lëvizje që me natje të datës 27 mars 1989, në protestën masive për të marrë në mbrojtje të drejtat legjitime të Kosovës. Ndërkaq, rinia, si gjithherë, do të vihet në ballë të protestave dhe me gjak do ta shenjtërojë kërkesën: «Kosova-Republikë!». Në përleshje të përgjakshme në Prishtinë ranë heroikisht pesë të rinj, në Sufrekë (Suharekë)[17]një dhe në Podjevë një, kurse numri i të plagosurve ishte disa herë më i madh. Dhe, derisa Serbia në Beograd po festonte aneksimin, Kosova u ngrit. Në të gjitha qytetet pati dhunë, të plagosur, konfrontime të rinisë shqiptare me policinë e pushtetit. Në Zhur ranë tre të rinj, në anën e Deçanit - pesë, të gjithë anëtarë të Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Kosovës[18].

Dhuna, arrestimet dhe maltretimet deri në mbytje me dru të të rinjve shqiptarë, pjesëtarë të organizatave ilegale për çlirimin e Kosovës, vazhdoi me tërbim. Më 3 prill 1989, në Burgun e Qarkut në Prizren u mbyt një i ri, kurse më 30 maj 1989 në Podjevë një tjetër[19]. Dhe, më 27 tetor 1989, prapë minatorët e «Trepçës» bënë hapin e duhur antijugosllav, që ua mundësonte vendosmëria për sakrificë kolektive për lirinë e popullit shqiptar. Tashti 65 veta lidhën Besën shqiptare me «Besa-besën» se nuk do të dilnin nga zgafellja e Horizontit të tetë të minierës në Stantërg, pa u plotësuar kërkesat shqiptare[20]. Më 2 nëntor 1989, në Prishtinë ranë heroikisht, me armë në duar, dy të rinj, pjesëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, kurse në rrugët e Gjilanit u derdh gjaku i një demonstruesi dhe u plagosën dhjetëra të tjerë anekënd Kosovës[21].

«Gjaku i heroit është fara e lirisë!» - thotë një maksimë latine. Gjaku i rinisë shqiptare sa vinte e bëhej shenjtëri, që nuk mund të shkelej, për homogjenizimin e shoqërisë shqiptare. Çdo shqiptar i vrarë nga pushtuesi do të shpallet nga populli martir i kombit, kurse varrimet e tyre do të shndërrohen në procesione të të indinjuarve në rrugën që shpiente në konfrontim të hapët, luftarak, me forcat e okupatorit, para mësymjeve gjithnjë e më të paskrupullta të Serbisë, e cila, anekënd, thërriste: «Vdekje shqiptarëve!»[22].

Me kërkesa të tilla albanofobe, shqiptarët ishin të njohur qysh nga kontaktet e para fatale me fqinjët gjatë mesjetës romako-bizantine e nemanidase, veçanërisht nga fundi i shekullit XVIII, kur sllavët nën administrimin e Perandorisë Osmane u morën nën tutelen e Rusisë, të Francës, të Anglisë etj[23]. Kundër një kërcënimi të tillë, populli shqiptar i Kosovës, e më gjerë, do të ngrihet me vendosmëri të shënuar vetëm në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Kundërvënia shqiptare kishte një qëllim parësor: ndërkom­bë­tarizimin e Çështjes së Kosovës si Çështje shqiptare të pazgjidhur dhe homogjenizimin politik të shqiptarëve përreth kërkesës tashti më jetike: Kosova-Republikë, si hap i sigurt drejt bashkimit të Shqipërisë Etnike me plebishit gjithëpopullor në trojet etnike dhe historike shqiptare[24].

Nga mesi i janarit të vitit 1990 Lëvizja Popullore për Republikë e intensifikoi veprimtarinë ilegale. Më 15 janar 1990, në Gjilan u shpërndanë 26 copë Thirrje, drejtuar popullit shqiptar për të masivizuar Lëvizjen për Republikën e Kosovës[25]. Nga fillimi i dhjetëditëshit të tretë të janarit 1990 u shënua filli i qartë i shthuarjes së paevitueshme të Jugosllavisë[26], ndërkaq policia maqedonase inskenoi mbytjen e një shqiptari në Haraçinë të Shkupit. Prandaj, më 23 e më 24 janar 1990, masat shqiptare shpërthyen në protesta e demonstrata antijugosllave me kërkesa: Të hiqen masat e jashtëzakonshme në Kosovë; të jepet shpjegimi për vrasjen në Haraçinë; të ndërpriten proceset politike të inkriminuara» etj[27]. Mirëpo, më 25 janar 1990 anëtarët serbë të Komitetit komunal të LKJ-së të Fushë-Kosovës, do të ngrihen me parullat: «Duam armë!» - kundër shqiptarëve. Këso kohe, koloninë serbe të Fushë-Kosovës Beogradi e kishte kthyer në poligon politik, policor e ushtarak serbomadh kundër Kosovës shqiptare, e shqiptarësisë së saj[28].

Dimensionin shoqëror e politik kombëtar të Demonstratave të janarit 1990, si gjithherë, e plotësoi pjesëmarrja e plotë e studentëve shqiptarë në to, me rolin prijatar. Më 26 janar 1990, me gjithë ndalimin policor të hekurt, në të gjitha viset e Kosovës «pati demonstrata dhe ndërprerje pune»[29]. Në mëngjesin e kësaj dite në vise të Lypjanit gdhinë parullat e shkruara: «Kosova-Republikë!»; «Kush është patriot le të na bashkohet!», «Duam Liri», «Poshtë tradhtarët!» etj. Ndërkaq në demonstratat shqiptare në Prishtinë «u lënduan dhe u arrestuan 116 demonstrues»[30].

Dhuna mbi demonstruesit në Prishtinë helmoi plagët e Kosovës shqiptare. Më 27 janar 1990 populli shpërtheu në protesta e demonstrata në Rahovec, në Podjevë në Ferizaj, në Suharekë, në Pejë, në Kaçanik, në Gjilan, në Mitrovicë e gjetkë, ku mbretëruan parullat: «Demokraci – demokraci!», «Besa - besën!», «Kosova - Republikë!», «Republikë - Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë[31]. Në mbrojtje të identitetit shqiptar të Kosovës u ngrit edhe mërgata shqiptare në Evropë, ku mbretëruan parullat: «Kosova-Republikë!», «Liri për Kosovën!», «Beogradi - vrasës[32].

Dhe, në demonstratat e 26 dhe 27 janarit 1990 në rrethinë të Pejës u vra një dhe u plagosën shtatë të rinj, kurse në anë të Rahovecit u vranë katër dhe u plagosën 13 veta[33], e më 28 janar 1990 në anë të Sufrekës u vra një, kurse në anë të Lypjanit, të Podjevës, e të Vushtrrisë pati shumë të plagosur. Më 29 janar 1990 në anë të Ferizajt ra një dhe u plagosën disa të rinj[34]. Më 29 janar 1990 mbi 1500 punëtorë të Rilindjes i dërguan një Protestë Kryesisë së RSFJ-së[35], ku thuhej se «ashpërsimi i dramës kosovare kanoset të shndërrohet në tragjedi gjithëpopullore me përmasa të Tien-an-menit dhe të Temishuarës (...) Kosova është plagë e hapur në Evropë, që kërkon barin e demokracisë»[36].    

 Pushtuesi kësaj dhe protestave të tjera do t’u përgjigjet me dhunë e gjakderdhje, duke vrarë, më 30 janar 1990, tre demonstrues në anë të Malishevës, një në Gjakovë, një në Gjilan dhe plagosi shumë demonstrues[37]. Gjyqi i Pejës, në ato ditë, dënoi me burg efektiv 30 demonstrues[38]. Mirëpo, demonstratat nuk pushuan edhe më 31 janar 1990 dhe në tërë Kosovën mbretëroi «situatë gjithnjë e më dramatike»[39]. Në Gllogoc të Drenicës pati tre të vrarë e 25 të plagosur, në anë të Pejës tre të vrarë e pesë të plagosur, dy veta u vranë në anë të Vushtrrisë dhe dy në anë të Deçanit, e një në anë të Shtimes, kurse «numri i të plagosurve është i konsiderueshëm» - informonte Rilindja. Demonstrata të përgjakshme, më 31 janar 1990, pati në Prizren, Lypjan, Kaçanik, Han t’Elezit, Podjevë, Lluzhan të Llapit, Stantërg, në Drenicë etj. U plagosën shumë veta kurse në Gjakovë ra një dëshmor, i ri, i kombit shqiptar[40]. Më 31 janar 1990, minatorët shqiptarë në shumë miniera të Kosovës nuk u lëshuan në zgafella e vendpunishte, kurse policia ndaloi qarkullimin dhe lëvizjen e njerëzve në grupe më shumë se tre veta, ndaloi tregjet javore në Gllogoc, në Deçan, në Krakushtë (Dragash)[41] etj., kurse në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës arritën 26 demonstrues të plagosur rëndë[42].

Dhe, derisa Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistave të Jugosllavisë i udhëzonte komitetet e LKJ-së dhe pushtetin në Kosovë: «Programi i veprimit të mëtejmë kundër nacionalizmit shqiptar është detyrë kryesore…!», në Leposaviq, në Bileqe, në Beograd, në Valevë, në Vranjë, në Plevle, në Nish, në Kragujevc e në Novi - Sad u organizuan tubime masive - «për Serbinë e Madhe në gjirin e Jugosllavisë të dominuar nga serbët!» Në Mitingun e Beogradit para Kuvendit të RSFJ-së, midis shumë këngëve çetnike, dolën parullat: «Kokën e japim – Kosovën s’e japim!», «Duam armë!», «Po shkojmë në Kosovë!», «Sllobo, na jep armë, shqiptarët kanë çuar turinin!» etj.[43]

Shkurti i vitit 1990, së këndejmi, filloi tepër i ngrysur. Më 1 shkurt 1990, në demonstratat në Podjevë e në anë të Llapit ranë tre të rinj, në anë të Lypjanit një, në Gjakovë ra një dhe u plagosën tre demonstrues, në Grykën e Carralevës ra një; demonstrata të përgjakshme u zhvilluan në anë të Sufrekës e të Rahovecit, kurse në Drenicë, mbi tridhjetë mijë pjesëmarrës në demonstrata morën pjesë në varrimin e martirëve të 31 janarit 1990. Protesta e demonstrata kundër dhunës jugosllave në Kosovë u zhvilluan në Tetovë e në Gjenevë të Zvicrës, kurse Beogradi do të përcaktohet për thyerjen e Lëvizjes shqiptare - «me të gjitha mjetet që ka shteti i Jugosllavisë[44]

NË FILLE TË AKSIONIT PËR FALJEN E ARMIQËSIVE

Në rrethana të tilla të ndera, kur po derdhej gjaku i rinisë shqiptare, më 2 shkurt 1990, filloi Aksioni i Rinisë për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, i cili, duke kaluar nëpër disa faza do të rritet në Lëvizje Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave[45].

Iniciativa për fillimin e Aksionit, përkatësisht  Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, në shembuj të ndritshëm nga historia kombëtare shqiptare, ishte dhënë, siç u tha, më herët, dhe pikërisht më 24 shkurt 1989 nga minatorët grevistë, kurse sendërtimi do të fillojë në ditët më të ndera, në rrethana të një konfrontimi të plotë, e të përgjakshëm, shqiptaro-jugosllav, gjatë pjesës së tretë të janarit 1990[46]. Në këtë ditë historike të Ditëlindjes së Lëvizjes Gjithëshqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, më 2 shkurt 1990, ushtaraku i lartë, Petar Graçanin, do të konstatojë: «Qëllimi i separatistëve është të ndryshohet politika e vendit (Jugosllavisë) ndaj Kosovës» dhe se «në Kosovë u vranë 20 demonstrues» e dhjetëra të tjerë «u plagosën»[47].

Në anën tjetër, Rilindja informonte opinionin se më 2 shkurt 1900 Gjermania kishte gdhirë «Atdhe i njësuar»[48], që do të thoshte: E pse të mos lejohet edhe bashkimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike, për çka po derdhej gjaku shqiptar në qytete e fshatra të Kosovës?![49]. Iniciativën e minatorëve për fillimin e një Aksioni për Faljen e Gjaqeve e vuri në jetë një grup i të rinjve nga viset e Pejës, kryesisht studentë - vajza e djem sapo të liruar nga vuajtja e dënimit në burgjet jugosllave; Havë Shala, Brahim Dreshaj, Lulëzim Ethemaj, Myrvete Dreshaj e Adem Grabovci. Këtyre iu bashkuan edhe Musë Berisha, Zoge Shala, Flamur Gashi, Ethem Çeku, Akile Dedinca, Zyrafete Muriqi etj. Shumica prej tyre ishin veprimtarë të organizatës ilegale Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës dhe në burgje ishin ballafaquar me idenë e pajtimit ndërshqiptar që po farkëtohej në kazamatet e Jugosllavisë. Ata kishin mësuar për Apelin e minatorëve të 24 shkurtit 1989 në qelitë e burgjeve dhe u çelnikosën nga mesazhi i kësaj iniciative. Realisht, konkretisht për nëvojen e përmbushjes së kërkesës së minatorëve në qelitë e Burgut të Lypjanit diskutuan studentët: Havë Shala nga Peja dhe Akile Dedinca nga Livragona e Fushë Kosovës. Pas lirimit nga burgu, Havë Shala e përjetësoi iniciativën[50].

Këta të rinj, të tubuar përreth Havë Shalës, ishin të bindur se shkëputja e Kosovës nga Jugosllavia nuk mund të bëhej pa një luftë të përgjakshme, e cila për çdo ditë dukej më afër se kurrë, ndaj ishte e domosdoshme arritja e paqes dhe e sigurisë ndërvëllazërore shqiptare përballë armikut shekullor[51]. Kjo do të arrihej me faljen e gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave sipas shembullit të etërve e të stërgjyshërve të dëshmuar nga Skënderbeu, në mesin e shekullit XV (1443-1468), Bushatasit e Tepelenasit, nga mesi i shekullit XVIII- fillimi i shekullit XIX, nga Lidhja e Parë Shqiptare e vitit 1828-1831, midis Toskërisë e Gegërisë, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), nga Lidhja Shqiptare e Pejës «Besa - besën» (1893-1902), Nga Besëlidhja e Verrave të Llukës më 1910, nga Kryengritja e Madhe Kombëtare Shqiptare e vitit 1912, nga Besëlidhja Popullore e Kosovës e viteve 1919-1921, nga Paqja (Islihati) i viteve 1941 - 1944 në Kosovë e në vise të tjera sapo të dala nga kuadri i Jugosllavisë versajase. Kujtesa dhe burimet historike vërtetojnë se shqiptarët para kthesave të mëdha shoqërore e politike, në interes të ekzistimit substancial e të ardhmërisë kombëtare, kanë falur gjaqet dhe hasmëritë, kanë ndaluar dhe kanë ndëshkuar në mënyrë të organizuar, institucionalisht, gjakmarrjen dhe vrasjet midis shqiptarëve, për kohë të caktuar brenda Shëngjergjit - Shënmitrit, ose brenda vitit, a periudhës së konfrontimit me armë me pushtuesit[52].

Grupi nismëtar i Aksionit për Faljen e Gjaqeve, paraprakisht përpunoi strategjinë për veprim në terren: Aksioni të fillojë me moton: Të falim tridhjetë e dy gjaqe në emër të tridhjetë e dy dëshmorëve të vrarë nga okupatori gjatë Lëvizjes masive të popullit shqiptar në Kosovë, nga fundi i vitit 1988 deri në fund të janarit të vitit 1990; të mos përfillet kërkesa që mund të shtrohej nga ata që duhej të falin gjakun për thellimin në shkaqet e vrasjes, të plagosjes e të ngatërresës dhe falja e gjakut, e plagës dhe e ngatërresave të kërkohej e të bëhej: në emër të rinisë së martirizuar; në emër të të burgosurve politikë që po kalbeshin në kazamatet jugosllave; në emër të popullit shqiptar; në emër të unitetit mbarëkombëtar shqiptar; në emër të Flamurit kombëtar shqiptar; në emër të bashkimit të tokave shqiptare në Shqipërinë Etnike[53].

Studentët nismëtarë vendosën të mblidhnin disa të dhëna për numrin e gjaqeve, të plagëve e  të ngatërresave në viset prej nga ata dilnin; të Pejës, të Deçanit, të Rugovës e të Istogut, kurse për shtrirjen e idesë për nevojën e fillimit të një aksioni për faljen e gjaqeve, për një paqe gjithëshqiptare përballë okupatorit, do të shfrytëzojnë të pamet për ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave dhe të të rinjve shqiptarë të vrarë nga policia jugosllave. Me një fjalë, kjo ishte hyrje në Aksion, një leje për arsyeshmërinë e Aksionit[54].

Meqë nga fundi i vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990 si alternativë politike legale ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, Grupi nismëtar i Aksionit do t’i drejtohet LDK-së në Pejë që ajo të merrte mbi vete këtë «aktivitet humanitar», i cili në thelb ishte aktivitet politik. Dega e LDK-së së Pejës, e formuar në Kuvendin themmelues të 19 janarit 1990, këso kohe numronte 2 000 anëtarë[55]. Ajo, nismën e quajti qëllimmirë, por u deklarua se Aksionin nuk mund ta merrte mbi vete, me arsyetimin se LDK-ja ende nuk ishte regjistruar as nuk ishte legalizuar si alternativë legale dhe «si e tillë mund të rrezikohej»[56].

Veprimtarët e Grupit nismëtar, duke  pasur të qartë se Aksioni pa mbrojtjen e një asociacioni zyrtar do të pengohej e do të ndalohej që në fillim nga policia dhe gjyqësia jugosllave, duke e trajtuar si « Lëvizje për homogjenizimin politik legal të nacionalistëve e të separatistëve shqiptarë»[57], kërkoi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut të Kosovës (KMDLNJ), që ky të merrte mbi vete arsyetimin e Aksionit para organeve të policisë e të gjyqësisë jugosllave, me motivin se falja e gjaqeve dhe hasmërive të tjera bën pjesë në sferën e mbrojtjes së jetës dhe të lirive të njeriut. Dhe, falë guximit të sekretarit të KMDLNJ-së, dr. Zekeria Cana, KDLMNJ-ja e Kosovës e mbështeti iniciativën dhe vetë Z. Cana do të pranojë që së bashku me prof. Anton Çettën, anëtar i këtij Këshilli, e me intelektualë me autoritet, të viheshin në krye të veprimtarëve për të marrë përgjegjësinë në rast të sulmit të policisë jugosllave mbi bartësit e vërtetë të Aksionit, studentët e rinia shkollore[58].

Fillimin e Aksionit të Rinisë për Faljen e Gjaqeve e përkrahu pa hezitim dhe fuqimisht Kryesia e Përkohshme e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK) e përbërë prej: prof. Sami Peja (kryetar), Zenel Kelmendi, prof. Hazir Shala, Enver Tali, Jusuf Zherka, Halit Breznica, Rexhep Bunjaku, Idriz Gërvalla dhe dr. Muhamet Pirraku, koordinator i punës së kësaj kryesie[59].

Realisht, meqë nuk pritej mundësia e regjistrimit të SHBPK-së, pas kunsultimit të dr. Muhamet Pirrakut[60] me prof. Anton Çettën, Kryesia mori vendim që të pushonte përkohësisht puna në ngritjen e mëtejshme të saj, kurse anëtarësia të hidhej në Aksionin për Faljen e Gjaqeve, në mënyrë që të burgosurit politikë të kontribuonin për zhvillimin e Aksionit të Rinisë për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave[61].

  2 shkurt 1990, Grupi nismëtar prej 25 të rinjsh e të rejash, prej të cilëve 21 ish-të burgosur e të persekutuar politikë, me dy veteranët e KMDLNJ të Kosovës: prof. Anton Çetta dhe dr. Zekeria Cana, ia mësyn fshatit Lumbardh të Deçanit, për të kërkuar faljen e një gjaku. U bënë shumë përpjekje pa sukses dhe në fund u nxor një besë për dy muaj, që do të thoshte; Grupi i pajtimit duhej të vinte në Lumbardh për të thelluar kërkesën për faljen e gjakut brenda kohës sa do të vazhdonte Aksioni[62].

Në këtë ditëlindje të Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe  të Ngatërresave, në Kosovë mbretëroi situatë e nderë, një atmosferë që kundërmonte në erë gjaku, në kushte të një gjendjeje të jashtëzakonshme e të shtetrrethimit policor e ushtarak tepër të rëndë, pas vrasjes së shumë demonstruesve në vise të ndryshme të Kosovës. Megjithatë, edhe në këso rrethanash, do të arrihet falja e një rrahjeje të rëndë, do të arrihet një pajtim, një bashkim vëllazëror me jehonë të madhe në Lëvizjen shqiptare[63].

Në demonstratat në anë të Lypjanit, më 1 shkurt 1990, ra dëshmor një i ri. Për tërheqjen e trupit të dëshmorit nga vendi ku kishte rënë, do të angazhohen si vëllezër edhe dy të rinj të dy familjeve të hasmëruara qysh më 1986. Ky gjest burrëror i ra në sy njërit prej organizuesve të demonstratës, prof. Avdi Kelmendit, i cili, si ish-i burgosur politik, kishte dije për fillimin e Aksionit[64]. Sapo do të tërhiqet kufoma e dëshmorit, dhe të sillet në oborrin e Breznicasve të Dobrajës së Madhe, A. Kelmendi nxiti një grup të rinjsh dhe burra me autoritet për t’i rënë brenda Haxhí Salih Bahtirit, që të falte rrahjen e një mashkulli në emër të gjakut të Xhevdet Breznicës, të rënë për lirinë e popullit shqiptar; në emër të dëshmorëve të kombit; në emër të Flamurit kombëtar shqiptar; në emër të Kosovës së Pavarur. Haxhí Salihu e kuptoi drejt kërkesën dhe e shtriu dorën e pajtimit, kurse promovimi solemn i faljes do bëhet më 2 shkurt 1990 para varrit të dëshmorit Xhevdet Breznica në prani të më se tre mijë vetave[65].

Në këtë ditë historike për Lëvizjen për faljen e gjaqeve në anë të Preshevës u zhvilluan demonstrata të përgjakshme, ku u plagosën për vdekje dy të rinj. Parullat kryesore: «Kosova- Republikë!», «Poshtë diktatura e Milosheviqit!», «Demokraci!», «Presheva është Kosovë!» shprehin njëninë e kërkesave shqiptare për Shqipërinë Etnike, të copëtuar administrativisht nga pushtuesi jugosllav nën patronatin e Evropës[66].

Sistemi i informimit intern, gojë pas goje, që ishte vënë në jetë në kushte të censurës së mjeteve të informimit publik[67], i dha krah lajmit se në Lumbardh filloi Aksioni i Rinisë për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, më 2 shkurt 1990, dhe se, më 2 shkurt 1990, para varrit të një dëshmori, u pajtua një hasmëri e rëndë dhe u rivëllazëruan dy familje shqiptare. Tashti, në varrimet e Dëshmorëve të Shkurtit dhe në të pamet e Dëshmorëve të Janarit - Shkurtit 1990, ku do të marrin pjesë qindra mijëra veta, temë diskutimi e trajtimi politik do të bëhet Aksioni i Rinisë për Faljen e Gjaqeve dhe falë edhe aktivitetit të mjeteve të informimit të Prishtinës e të Tiranës, ideja për arritjen e paqes nëpërmjet  faljes së hasmërive përfshiu Kosovën e trojet shqiptare të okupuara[68].

Në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, të shtetrrethimit policor e ushtarak, dhe veçanërisht në rrethana të ndalimit të protestave e të demonstratave shqiptare për mbrojtjen e autonomisë si hap për pavarësinë e Kosovës[69], fillimi i Aksionit për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave hapi një rrugë alternative demokratike në interes të përpjekjeve jetike për Republikën e Kosovës. Falja do të kryhet për hir të unitetit politik që do të arrihet me këtë Lëvizje, që habiti botën e qytetëruar[70].

Në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak të okupatorit, Grupi nismëtar i Aksionit i viseve të Pejës me vështirësi do të çajë bllokadën për të kaluar prej katundi në katund, prej odës    odë    Dukagjinit Verior  për  t’i dhënë frymëmarrje idesë së pajtimit kombëtar nëpërmjet faljeve të gjaqeve, dhe më 10 shkurt 1990, në prani të rreth 100 vetave, do të arrijë e do të promovojë faljen e parë të një gjaku në Raushiq[71]. Ky pajtim ishte çelës, në duar të rinisë, për të hapur një deriçkë në kalanë e institucionit të gjakmarrjes, për ta pushtuar atë nga brenda. Ndonëse edhe në dhjetëditëshin e dytë të shkurtit 1990 mbretëroi një gjendje shtetrrethuese në mbarë Kosovën[72], grupi nismëtar i rinisë studentore të Pejës vazhdoi aktivitetin me guxim e vetëbesim të pathyeshëm. Për interesa të Aksionit do të shfrytëzohen, si gjithnjë, varrimet dhe të pamet  për dëshmorët, si të Osman Vokshit në Pejë e gjetkë[73].

Për afirmimin e Aksionit do të shfrytëzohet edhe Tubimi i më se 50 mijë vetave në Lupç të Llapit, më 19 shkurt, në pritje të daljes nga burgu të Mandelës së Kosovës, Adem Demaçit[74].

Jehona e Aksionit të rinisë së Pejës për faljen e gjaqeve mori krahë. Gjatë pjesës së tretë të shkurtit 1990 në shumë komuna e vise të Kosovës, ndonëse në rrethana të shtetrrethimit, u ngritën grupe nismëtare të këshillave të pajtimit mbi bazë të kërkesave e të parimeve që kishte caktuar Grupi nismëtar i studentëve të Pejës. Barrën organizative dhe drejtuese në këto grupe do ta marrin, prapë, ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë dhe personalitetet intelektuale. Grupi nismëtar i Aksionit tashti praktikisht u shndërrua në Këshill të Pajtimit të Pejës me pretendime të udhëheqte Aksionin në vise të Pejës, të Deçanit, të Rugovës dhe të Istogut[75].

Realisht,  koordinuesit e punës së grupeve nismëtare të këshillave të para të pajtimit, në nivelet komunale e rajonale, fillimisht u vunë në lidhje veprimi e bashkëpunimi me bërthamën drejtuese të Aksionit të rinisë, që po vepronte në vise të Pejës, thithën përvojën e arritur të grupit themelues të Aksionit, veprimtarët e të cilit, madje në fillim, në shumë vise, do të shërbejnë si instruktorë, për ecurinë dhe porosinë e kërkesës dhe të faljes së gjakut, të plagës e të ngatërresës[76].

Fillimi i dhjetëditëshit të tretë të shkurtit 1990, do të shënohet me pengesa të reja për Aksionin. Në protestat e 20 shkurtit në Prishtinë ra një dëshmor dhe u plagosën 13 demonstrues të tjerë, në Mitrovicë ra dëshmor një student, në Ferizaj u plagosën tetë demonstrues e një në Kaçanik. Përpjekje për organizimin e demonstratave shqiptare antijugosllave pati edhe në Kumanovë[77]. Në Podjevë  u zhvilluan demonstrata të përgjakshme edhe më 21 shkurt, kurse më 22 shkurt 1990 pushteti policor jugosllav ndaloi Lëvizjen prej orës 21 deri në orën 4, lëvizjen në grupe, demonstrimin dhe tubimet në vende publike[78].

Mirëpo, tashti Aksionin për Faljen e Gjaqeve nuk mund ta ndalonte asnjë dhunë. Më 20 shkurt 1990, Këshilli i Pajtimit i Gllogocit, të cilin e përbënin anëtarë të Kryesisë së degës së LDK-së: Mehdi Bardhi (kryetar) e mr. Sinan Gashi dhe studentët: Gani Elshani, Veli Shala, Violetë Bardhi, Ejup Bajrami etj., duke pasur në gjirin e tyre edhe Nesim Hajredinin nga Gllogjani i Deçani, arriti te parën falje të gjakut në Krikovë të Drenicës dhe më 23 shkurt organizoi tubimin e parë masiv për promovimin e faljes së gjaqeve në Kosovë - në emër të dëshmorëve, në emër të rinisë, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të Republikës së Kosovës. Dega e Gllogocit është dega e parë e LDK-së, e cila mori mbi vete organizimin e Aksionit për faljen e gjaqeve në arealin që ajo mbulonte dhe ky është promovimi i parë i një pajtimi në prani të prof. Anton Çettës, e ku ishte ftuar edhe dr. Muhamet Pirraku[79], i angazhuar, pak ditë më vonë, në koordinimin e punëve në bërthamën drejtuese të Aksionit, që vepronte pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kjo bërthamë do të rritet, me kohë, në Këshill Qendror të Pajtimit për Kosovën.  Ky ishte gjaku i babait të dëshmorit Sahit Shala. Ndaj, promovimi i faljes do të bëhet pranë varrit të dëshmorit, në prani të gjashtë imamëve  dhe të xhematit të xhamive të Drenicës dhe të përfaqësuesve të bërthamave drejtuese të Aksionit në vise të Malishevës, të Skënderajt, të Vushtrrisë, të Lypjanit, të Prishtinës dhe të mbi 3 000 drenicarëve. Kuvendi i Pajtimit i Krikovës, me Apelin «Dora e pajtimit», i bëri thirrje popullit t’ia falte gjaqet ardhmërisë së Kosovës. Me këtë rast, fshati Krikovë i fali të gjitha hasmëritë dhe ngatërresat dhe kështu u bë fshati i parë në Kosovë pa asnjë hasmëri[80]. Gazeta Rilindja e 24 shkurtit 1990 solli një informatë programatike: «Nga ky tubim iu bë thirrje të gjitha familjeve të Drenicës, por edhe anembanë Kosovës që janë të gjaksuara ose të ngatërruara të shtrijnë dorën e pajtimit dhe t’u japin fund këtyre të këqijave[81].

Jehona e faljes së gjakut dhe të hasmërive të tjera në Krikovë do të shoqërohet me suksese të tjera. Në vise të Deçanit dhe pikërisht në Strellc, Këshilli i Pajtimit: prof. Niman Alimusaj (koordinator), Musë Berisha, Xhemë Shehu etj., të shoqëruar nga veprimtarët e Grupit nismëtar të Pejës, më 24 shkurt 1990 arritën faljen e parë të një gjaku[82], kurse më 26 shkurt 1990, filloi të veprojë Këshilli i Pajtimit i Sufrekës: prof. Ramadan Shala (kryetar), Mustafë Kuçi, Ukë Bytyçi, Afrim Morina, Samir Kuçi, Mexhid Mazreku, Mulla Muhamet Paçarizi, Shahzade Rexha, Violetë Bytyçi, Bleron Baraliu e veprimtarë të tjerë, të cilët arritën një pajtim në Nëpërbisht[83]. Më 27 shkurt 1990, Këshilli i Pajtimit i Vushtrrisë: Haxhí Feriz Zekolli (kryetar), prof. Hajzer Krasniqi (koordinator), prof. Bajram Mulaku, Hydajete Nura, Muresl Hyseni, Shefqet Popova dhe studentë e veprimtarë të tjerë, arritën faljen e parë të një gjaku në Stanoc[84]. Dhe, më 28 shkurt 1990, Këshilli i Pajtimit i Skënderajt: prof. Xhafer Murtezaj (kryetar), Azem Xani, Sejdi Koci, Idriz Rrecaj, Muharrem Dërguti, Vehbi Xani, Abdyl Salihu, Mehmet Zabeli, Ajnishahe Shala, Hazir Radisheva etj., bënë pajtimin e parë të gjakut në Llaushë. Simbolika e këtij pajtimi qëndronte në faktin se gjaku u fal në emër të gjakut të vëllait, Selman Vojvodës, të rënë në demonstratat e 20 shkurtit në Mitrovicë dhe në shenjë të kushtrimit për hakmarrje për gjakun e Enver Hadrit, të rënë më 27 shkurt 1990 nga plumbat e policisë sekrete serbe në Bruksel[85]. Më 28 shkurt 1990 gazeta Rilindja solli informatën e parë për Aksionin e për faljen e gjaqeve në Dukagjinin Verior, ku, midis të tjerash, thuhej:«Duke u nisur nga fakti se gjakmarrja është plagë shoqërore(…), një numër i të rinjve studentë nga komuna e Pejës, para dy-tri javësh ia filluan aksionit mjaft të dobishëm për pajtimin e gjaqeve dhe të rinjtë tjerë nga mjedise të ndryshme të Kosovës: nga Podjeva, Gjilani, Mitrovica e nga vise të tjera, të cilët së pari përpiluan listat e familjeve në konflikt»[86].

Kështu, Rilindja, me disintentizëm, ftonte rininë e të gjitha viseve shqiptare të ndiqte shembullin e rinisë së Pejës. Në vazhdim theksonte se pajtime janë arritur në Raushiq, Broliq, Kotradiq, Lutogllavë, Budisalc, Strellc etj. dhe se «gjaku falet pa kurrfarë kompensimi material e kushte të tjera për pajtim». Meqë ekzistonin rrethana pasigurie në kushte të orës policore, të ndalesës për lëvizje në grupe dhe të shtetrrethimit, Aksioni do të paraqitet në opinion thjesht si «aksion humanitar», pa pretendime politike!?[87]. 

Sukseset fillestare që korri Aksioni i rinisë në ato kushte të ndera, në vise të Lypjanit, të Pejës, të Deçanit, të Gllogocit, të Sufrekës, të Vushtrrisë e të Skënderajt dhe tendenca në rritje që Aksioni të shtrihej në të gjitha viset shqiptare nën okupimin jugosllav, si pararojë e Lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë Etnike me lajtmotivin: «Kosova- Republikë si hap fillestar!», shtroi për detyrë nevojën për formimin e një organi koordinues të Aksionit për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, që do të lidhte aktivitetin e këshillave të pajtimit në nivele komunale e rajonale, formalisht në nivel të Kosovës dhe realisht në shtrirje të viseve shqiptare nën okupimin jugosllav e më gjerë, në oazat e mërgatës shqiptare[88].

Kjo nismë zuri fill në Institutin Albanologjik të Prishtinës, tash më i njohur si vendtakim ku bashkoheshin individë dhe rryma të ndryshme në një front të përbashkët antijugosllav. Këtu gravitonin veprimtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe veprimtarët e të gjitha shoqatave dhe të nismave të tjera në planin më të gjerë politik e kulturor. Realisht, nevojën për themelimin e Këshillit Qendror të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve e të Ngatërresave e problematizoi dr. Muhamet Pirraku para prof. Anton Çettës, prof. dr. Mujë Rugovës, prof. dr. Musa Limanit, prof. dr. Murat Bejtës, prof. Sami Pejës dhe prof. dr. Rexhep Mehmetit, në fillim të marsit 1990. Sipas mendimit të tij, anëtarë të Këshillit Qendror të Pajtimit do të konsideroheshin anëtarët e Grupit nismëtar të Aksionit, veprimtarët nga radha e profesorëve universitarë e të punëtorëve shkencorë e kulturorë të tubuar përreth prof. Anton Çettës, mandej kryetarët dhe koordinuesit e punëve në këshillat komunale e rajonale të pajtimit e edhe vetë individët që do t’i falin gjaqet[89].

Këshilli Qendror i Pajtimit do të përkujdesej që Aksionin ta ngrite në Lëvizje më të gjerë, por pa rrezikuar notën dominante të karakterit të Lëvizjes rinore-studentore. Seli e Këshillit Qendror të Pajtimit do të bëhej vetvetiu Instituti Albanologjik edhe për faktin se Aksionit, krahas prof. Anton Çettës, dr. Zekeria Canës, dr. Muhamet Pirrakut, Fadil Graiçevcit dhe  Jahir Ahmetit, iu bashkuan me kohë edhe punëtorë të tjerë shkencorë të Institutit:  Bahtir Sheholli, dr. Dritë Statovci, dr. Zymer Neziri, mr Mehmet Halimi, dr. Kajtaz Rrecaj, mandej dr. Sadri Fetiu, Xhemail Sahiti, dr. Xheladin Shala, dr. Daut Bislimi, dr. Shkëlzen Raça, mr. Ukë Xhemaj, mr. Ibrahim Goçi etj. Ky angazhim i fuqishëm i punëtorëve të Institutit Albanologjik në Lëvizje doli si rezultat i mirëkuptimit të drejtorit të Institutit, dr. Fazli Syla, i cili Lëvizjes i la në shërbim edhe personelin teknik në daktilo-byro dhe në centralin telefonik[90].

Kështu, deri nga gjysma e marsit 1990, brenda grupit të veprimtarëve që konsideroheshin anëtarë të Këshillit Qendror të Pajtimit u formësua vetvetiu një bërthamë, që do të luajë rolin e Kryesisë në krye me prof. Anton Çettën. Në këtë, thënë kushtimisht, Kryesi, pa ndonjë emërim dhe oficialitet, bënin pjesë: Z. Cana, M. Rugova, R. Mehmeti, S. Peja, M. Limani, B. Sheholli, duke ia besuar koordinimin e punëve Muhamet Pirrakut. Puna e parë që bëri kjo Kryesi ishte vendimi që Aksioni i pajtimit të vazhdojë hëpërhë edhe për dy muaj, me arsyetimin e kuptueshëm: Aksioni që nisi në fillim të shkurtit 1990, u pengua nga shtetrrethimi ndaj nuk arriti shtrirjen e dëshirueshme në të gjitha trevat shqiptare.[91]

Detyrë parësore e Kryesisë ishte që të ndihmonte në koordinimin e Aksionit - Lëvizjes në nivele rajonale e komunale, duke dërguar për ndihmë anëtarët e Këshillit Qendror të Pajtimit, të punonte për organizimin e tubimeve popullore për promovimin e faljeve dhe të bashkërendiste punën midis këshillave rajonale e komunale të pajtimit[92]. Për t’i kryer këto punë në terren, Kryesia mund të përfaqësohej prej një, dy e më shumë anëtarësh të shoqëruar edhe nga veprimtarë të Këshillit Qendror të Kosovës[93].

Kryesia e Këshillit Qendror do të angazhohet në fushë të afirmimit të Aksionit - Lëvizjes, duke angazhuar ekipe të radios e të televizionit dhe gazetarë e korrespondentë të Rilindjes në terren në përcjellje të procesit të faljeve dhe të manifestimeve promovuese të pajtimeve. Midis gazetarëve që do të marrin pjesë në oda gjatë përpunimit të rasteve dhe faljeve, duhet të përmenden: Bejtush Gashi, Beqir Sopa, Bahtir Cakolli, Kujtim Krasniqi, Muhamet Ahmeti, Mehmet Kajtazi, Sheremet Krasniqi, Abdyl Kadolli, Skënder Zogaj etj. Këta, duke qenë edhe vetë veprimtarë të Lëvizjes, informuan me besnikëri për aktin më fisnik të faljes së gjaqeve dhe të hasmërive dhe me përmbajtje autentike radiofonike, televizive dhe shkrime, afirmuan dhe i dhanë frymë Aksionit - Lëvizjes[94]. Në mungesë të gazetarëve profesionistë, mjetet e informimit, si radion, televizionin dhe shtypin, do t’i informojë koordinuesi i punës në Kryesinë e Këshillit Qendror të Pajtimit[95].

Në kushte të orës policore e të shtetrrethimit jugosllav, ku shumë veta do të vriten e do të arrestohen në pragun e shtëpive, si «thyes të orës policore»[96], vetëm Lëvizja për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave mund të mbante gjallë frymën e rezistencës e të Lëvizjes çlirimtare.

Në dhjetëditëshin e parë të marsit 1990 falja dhe promovimi i faljeve të gjaqeve do të kryhet në mjedise të mbyllura, në oda, në prani të rreth 50 deri 100 vetave. Më 4 mars 1990, falja e gjakut të parë do të arrihet edhe në Prishtinë, falë veprimtarëve: Hetem Maqedonci, Ibrahim Selmani e Sherif Gashi[97], e me 9 Mars 1990, në promovimin e tri faljeve në Shtrubullovë të Drenicës,  ndonëse në rrethana të ndalesës së tubimeve, do të marrin pjesë rreth 230 veprimtarë dhe përkrahës të Lëvizjes[98].

Më 11 mars 1990, Këshilli i Pajtimit i rajonit të Rugovës: prof. Isë Nikçi (kryetar), studentët Zyrafete Muriqi, Salih Lajçi, Sahadete Kelmendi, dr.Zymer Neziri dhe dhjetëra veprimtarë të shquar, arriti faljet e para të dy gjaqeve në Koshutan[99]. Në këtë ditë edhe Këshilli i Pajtimit i Podjevës: prof. Bajram Blaku (kryetar), prof. Fehmi Ismaili, Selim Obrança, Sabri Osmani, Hazir Raça, Mulla Muhamet Demiri, Qazim Musa, etj., promovoi para 250 vetave faljet e para të dy gjaqeve në Letanc dhe pikërisht në familjen e mësuesit martir Shaban Shala, anëtar i Lëvizjes për Lirinë dhe Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitet ‘50-60[100].

Nga fillimi i marsit 1990 Këshilli i Pajtimit i Bashkësisë lokale të Kamaranit, në Drenicën Jugore: prof. Mehdi Syla (kryetar), prof. Xheladin Gashi, Rrustem Shala, Fatmir Abdullahu, etj., në koordinim me Këshillin e Pajtimit të Gllogocit dhe Kryesinë e Këshillit Qendror të Pajtimit, përgatiti disa falje të gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave të rëndësishme me ndikim në masivizimin e Lëvizjes. Më 12 mars 1990, në Arllat promovoi dy pajtime në prani të prof. Anton Çettës, dr. Muhamet Pirrakut dhe mr. Tefik Morinës[101], e më 13 mars 1990 u formua në Bellacerkë Këshilli i Pajtimit për Rahovecin: dr. Sabahudin Cena (kryetar), Begzad Gashi, Durmish Gashi, Mulla Sabahudin Kollari, Adem Berisha, Osman Mullabazi, Hetem Doda, Elizabet Çanta etj. Të ndihmuar edhe nga disa veprimtarë nga Grupi nismëtar: Havë Shala, Adem Grabovci, Myrvete Dreshaj, Brahim Dreshaj etj., ky Këshill për tri ditë arriti 11 pajtime[102].

Dhe, derisa policia jugosllave më 15 mars 1990 i nxori studentët shqiptarë nga konviktet, hap i parë që çonte në mbylljen e Universitetit të Kosovës[103], Këshilli Qendror i Lëvizjes, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Pajtimit të Gllogocit dhe me Këshillin e Pajtimit të Rahovecit, i ftoi, për 17 mars 1990, katër tubime të popullit për promovimin e 14 pajtimeve (8 gjaqe, 4 plagë e 2 ngatërresa) dhe pikërisht në Sankoc, në Krunaticë[104] dhe në Vukoc të Drenicës e në Bellacerkë të Rahovecit. Në këto tubime, ndonëse në rrethana të shtetrrethimit, morën pjesë mbi 8 100 veta. Moto e përbashkët e këtyre tubimeve ishte: «Edhe të vdekurit do t’i shtimë në luftë për ardhmërinë e të gjallëve...».[105] Falë angazhimit të Kryesisë së Këshillit Qendror të Pajtimit, përpos ekipeve të Radio-Prishtinës, të TVP-së dhe të gazetarëve të gazetës Rilindja dhe të revistave Shkëndija, Zëri i rinisë, Kosovarja etj., për xhirime filmike të këtyre tubimeve do të angazhohet veprimtari dhe donatori Gani Ibërdemaj, me qëllim që të bëhej një film dokumentar për propagandë afirmative të Aksionit - Lëvizjes[106].

Informatat në Radio dhe TVP, si dhe ato në shtypin ditor e javor, për këto manifestime ishin apele propaganduese drejtuar popullit: «Vëllavrasjen, hakmarrjen, gjakmarrjen përgjithmonë do t’i fshijmë nga trevat tona, ishte betim që u vulos dje....!»[107].

Dr. Muhamet Pirraku, duke përshëndetur simotrën Hyrë Gjoshaj, e cila si vajzë 15-vjeçare, më 1968, ishte betuar se nuk do të martohej pa e marrë gjakun e t’et, do të theksojë: «Motra jonë Hyra, me motrat e veta dhe motrat tona, nuk po e falin vetëm gjakun e babait, por po i falin gjaqet e Drenicës e gjaqet e Kosovës....!»[108]. Ndërkaq prof. Anton Çetta Lëvizjen e quajti «Dasmë të paqes», kurse pjesëmarrësit «Krushq të dorës së pajtimit»[109].

Mesazhi i fjalëve të veprimtarëve në tubimet e 17 marsit 1990, mund të rezimohet: «Gjaqet dhe hasmëritë i kërkojmë dhe i falim për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar, kurse vrasësve, kriminelëve, ngatërrestarëve ua falim vetëm jetën me kusht që të bëhen të njerëzishëm dhe të dobishëm për rrethin ku jetojnë dhe për popullin që i takojnë....!»[110]

Policia jugosllave, me neveri i përcolli tubimet e 17 marsit 1990 në Drenicë dhe Anadrini, ndaj në mbrëmje të asaj dite u bëri pusi zemërbardhëve që falën gjaqe dhe i rrahu mizorisht, kurse disa veta i dënoi me nga 30 ditë burg, - vetëm për një faj: pse falën gjakun e vet për ardhmërinë e lirinë e Kosovës së robëruar, vetëm pse nuk u hakmorën, vetëm pse nuk vranë e pse nuk do të vrasin më vëllanë, shqiptarin, për interesa të pushtuesit, sepse, sa më i gjaksuar shqiptari me shqiptarin, okupatori bën gjumin më të rehatshëm...![111]

Mirëpo, Lëvizja, e lindur nga gjiri i popullit, nuk mund të shtypej me dhunë. Më 17 mars 1990 Këshilli i pajtimit i rajonit të Opojës: Bedri Halimi (kryesues), Demir Reshiti, Lulzim Rifaj, Rufan Rexhepi, Enver Baftiu, Mulla Resul Rexhepi, Mulla Refki Isufi, Zyber Berisha etj., arriti faljen e parë të një gjaku në Kuklibeg,[112] kurse në Mitrovicë, Këshilli i Pajtimit: prof. Latif Berisha (kryetar), prof. Ahmet Maloku, Skënder Ceraja, Florie Ibrahimi, Fazli Hajrizi, Adem Ademi, Ahmet Vatovci, Basri Brahimi, Mulla Asllan Murati e Çerkin Peci etj., promovoi dy falje të gjaqeve në prani të mbi 1000 vetave[113].

Më 17 mars 1990, filloi nga puna edhe Këshilli i Pajtimit të Malishevës: Mulla Xhevat Kryeziu, imam i Xhamisë së Bubavecit, kryetar, Cen Desku, Fetah Bekolli, Jonuz Mazreku, Hasime Mazreku, prof. Zyrafete Krasniqi, Sherif Tafili etj.[114]. Në faljet që do të promovohen në oda në vise të Dukagjinit Verior një studente, duke stigmatizuar gjakmarrjen, do të thërrasë: «Burra, nënat shqiptare nuk lindin fëmijë që të vriten nga vëllezërit e gjuhës e të gjakut....!»[115]     

Më 18 mars 1990, Këshilli nismëtar i Pajtimit i Ferizajt, i formuar nga studentë e intelektualë, në prani të 500 vetave, promovuan faljen e parë të një gjaku në Greme.  Ky këshill filloi nga  puna më 14 mars 1990, në përbërje të shtatë studentave të Shkollës së Lartë Teknike të Ferizajt: Raif Musa  (koordinator), Lumnie Azemi, Hajrush Musa, Mustafë Gashi, Valdete Bajrami, Minire Ademi e Syzana Jupa në krye me profesorin dr. Ismail Hasani. Mandej, Inxh. Selatin Shaqiri, Nazmi Shahini, ish i burgosur politik dhe bëmirësit: Ali Lipovica, Fehmi Hajrullahu dhe Ahmet Sahiti, e shumë veprimtarë të tjerë. Në këtë Kuvend të pajtimit, ku morën pjesë edhe veprimtarët: Sadik Tafarshiku dhe dr. Limon Rushiti. Kryetarja e Shoqatës së Grave Demokratike të Ferizajt, Ymrane A. Hajra «propozoi që në nivel të Kosovës Këshilli i Pajtimit të Gjaqeve të mbajë emrin e profesor Anton Çettës, për hir të kontributit të tij si humanist në pajtimin e gjaqeve. Ky propozim u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit»[116]. Këso kohe Këshilli i Pajtimit filloi punën edhe në Kaçanik, i formuar nga «studentë e studente dhe intelektualë të kësaj komune, njerëz me autoritet»: prof. Bedri Kyçyku, prof. Sevdie Shehu, mr. Fadil Raka, prof. Maksut Hoxha, prof. Feriz Shehu, prof. Ramiz Kuçi, Zekeria Loku, student dhe Faton Krivanjeva, nxënës etj.[117]

Dhe, po më 18 mars u formua Këshilli i Pajtimit për rajonin e Anamoravës: mr. Mehmet Halimi (kryetar). Ky Këshill formoi tre nënkëshilla: Për komunën e Gjilanit: mësues Reshat Hoxha (kryetar), Shemsi Syla, Jetullah Kadriu, Asllan Shemsiu, Mulla Rifat Jashari, Rashit Lladova, Halil Kçiku, Januz Shala, Tanushe Kallaba, Shqipe Agushi, Sylë Krasniqi; për komunën e Kamenicës: Mulla Idriz Dërmaku (kryetar), mr. Tefik Geci, Sejdi Kryeziu, Xhelil Pajaziti, Nexhat Buzuku, Sevdije Mala, Ramadan Spahija, Isa Morina (koordinator) etj. dhe i komunës së Vitisë: Kadrush Neziri (kryetar), Refik Halili, Hajrullah Zeqiri, Zija Aliu, Refik Halili etj.[118].

Me 19 mars 1990, Tubimi popullor i Pajtimit prej rreth 3 000 vetave në Petreviq, i organizuar prej një grupi veprimtarësh të LDK-së në Shtime: Prof. Ibrahim Syla, kryetar i Degës së LDK-së, Shaban Halimi, Enver Shaqiri, Sabahate Baftiu, Ruzhdi Jashari, Hysni Baftiu, Xhavit Mahmuti, Leudita Baftiu, Mulla Beqir Dauti etj.[119], me aklamacion aprovoi propozimin ngaTubimi i Gremes që Këshilli Qendror i Pajtimit për Kosovën të emërohet me emrin e prof. Anton Çettës. Këtë propozim para Kuvendit të Petreviqit e dha Mulla Idriz Kakrruku, kurse dr. Muhamet Pirraku, duke arsyetuar nevojën për këtë emërtim, theksoi: «Profesor Antoni, këtu e tutje, është pronë jona, pronë e kombit dhe emri e vepra e tij na takon edhe neve, i takon kombit. Prej sot, në të gjitha dokumentet e Lëvizjes sonë; në të gjitha informatat, në të gjitha raportet, emri i Këshillit Qendror të Pajtimit do të shënohet, e do të thuhet: Këshilli Qendror «Anton Çetta» i Kosovës. Kuvendi aprovoi propozimin me duartrokitje frenetike»[120].

Me 20 mars 1990, Lëvizjes iu shtua edhe një shtyllë, Ipeshkvia Shkup - Prizren e Kishës katolike iu bashkua Lëvizjes për faljen e gjaqeve. Në këtë ditë Ipeshkvi Imzot Nikë Prela e përshëndeti Aksionin dhe u zotua se Kisha katolike do ta përkrahë shtrirjen e tij[121]. Këso kohe në mbarë Kosovën këshillat e pajtimit kishin arritur rezultate premtuese se Lëvizjen për Faljen e Gjaqeve, e të pajtimit kombëtar shqiptar, nuk do të ketë forcë okupuese që do të mund ta ndalonte, sepse udhëhiqej prej personaliteteve guximtare, nga studentë e intelektualë të gatshëm për sakrifica pa çmim[122]. Vetëm në anë të Pejës e të Deçanit, ku filloi Aksioni i rinisë, deri tashti ishte arritur të falen 40 gjaqe dhe ngatërresa të «afro 85 familjeve»[123]. Në këtë kohë Këshilli i Pajtimit i Istogut: Shaban Mavraj (kryetar), Demë Loxhaj, Lumnie Dreshaj, Xhavit Dreshaj, Nushafere Myrtaj, arriti faljen e gjakut të parë në Istog të Poshtëm, të ndihmuar nga Grupi nismëtar i Aksionit, kurse më 21 mars 1990 arriti faljen e parë të gjakut në Cercë[124].

Më 22 mars 1990, në ditën kur okupatori shkaktoi helmime masive të 916 nxënësve në Podjevë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Vushtrri e Gjilan, Këshilli i Pajtimit i Gallapit prej 15 studentëve e studenteve: Bajram Hajdini (kryetar), Selver Doda, Igballe Makolli, Ismail Shahini, Lumnie Ismaili, Bedrie Makolli, Fadil Nimani etj., dhe dr. Muhamet Pirraku, arriti faljen e parë të një gjaku në Hajkobillë[125].

Më 23 mars 1990 do të formohet Këshilli i Pajtimit i Prishtinës në kuartin «Vranjevci», të emëruar nga Lëvizja: «Kodra e Trimave». Ky Këshill pesëmbëdhjetë anëtarësh aktivitetin e filloi në tri grupe, por pas pak dite u bashkuan: Shukrie Rexha (kryetare), prof. Jakup Krasniqi, Bedri Veseli, Fatmir Brajshori, Feim Salihu etj.[126]

Më 24 mars 1990  edhe Këshilli i Pajtimit i Gjakovës: prof. Din Mehmeti (kryetar), dr. Bardhyl Çaushi, dr. Qamil Gexha, Arben Hoxha, prof. Nesim Vala, Fadil Hysa, Sylejman Lokaj, akad. Besim Bokshi etj. arriti faljen e gjakut të parë në Osek Hylë[127].

Me 19 mars 1990 ishte formuar Këshilli i Pajtimit i Prizrenit: prof. Bajram Kurti (kryetar), Arif Ramadan Retdbrava, Hasan Ibri, Hamëz Asllani, Shyqyri Shehu, Sabir Krasniqi, Fatmir Pireci etj. dhe faljen e gjakut të parë e arriti në Piranë, më 24 mars 1990, kurse promovimin solemn të pajtimit të dy gjaqeve e të një plage në Piranë, Malësi e Re e Retdbravë, e organizoi me 25 mars 1990. Policia intervenoi, arrestoi dhe përdori dhunë kundër veprimtarëve të pajtimit. Më 25 mars 1990, u ba riorganizimi i trupit drejtues të Lëvizjes në Shtime. Pranë Degës së LDK-së u ngre «Këshilli për Pajtimin e Gjaqeve «Anton Çetta» të Shtimes, i përbërë prej 14 vetash, kryesisht të rinj e të reja, në krye me Mulla Isa Tërshanin[128]  Më 30 prill 1990 në Prizren u ngrit edhe Këshilli i dytë me Xhafer Kabashin (koordinator), Shefki Bytyçin, Nazmi Kollanin, dr. Yll Zajmin, dr. Daut Mustafën, mr. Mehmet Topallin, Haxhi Krasniqin etj.[129]

Kështu, para fundit të marsit 1990 Lëvizja për Faljen e Gjaqeve u shtri në të gjitha viset e Kosovës dhe rezultatet tregonin se ajo do të shtrihej në të gjitha  tokat  shqiptare  ë aneksuara  nga  Jugosllavia dhe në  oazat e mërgatës shqiptare në botë. Dr. Zymer Neziri, veprimtar i shquar i Lëvizjes në anën e Pejës e të Rugovës, në fletën e Ditarit të 25 marsit 1990, duke i bërë një vështrim Tubimit popullor për promovimin e gjaqeve në Shtupeq te Math të Rugovës, konstatoi: «Sot po shihet fare qartë se ky Aksion i rinisë së Pejës nuk ka të ndalur. Ai do të përhapet si rrufeja në katër anët e Kosovës, e pse jo edhe më gjerë (...). Pajtimi kombëtar është i domosdoshëm në këto çaste të vështira për Kosovën dhe për popullin shqiptar... »[130].

 Njëri ndër këshillat e pajtimit më aktiv, nga mesi i marsit 1990, ishte ai i Lypjanit, të cilin e përbënin 16 veprimtarë në krye prof. Avdi Kelmendin. Midis veprimtarëve më aktiv ishin: Dritë Avdiu, studente, prof. Naim Ymeri, Xhemajl Sahiti, prof. Vahide Ratkoceri, prof. Mujë Prekupni, Ramë Buja, veprimtar i Këshillit Qendror të Pajtimit e të tjerë.[131]

Nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit 1990, Aksioni i rinisë mori të gjitha përpjesëtimet e Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, përkatësisht të Lëvizjes së pajtimit kombëtar shqiptar. Një pasqyrim më i plotë, më i sheshtë, i rritës së Aksionit në Lëvizje gjatë marsit 1990, më së miri mund të shihet nëpërmjet numrit të tubimeve popullore për promovimin publik të faljeve të gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave. Këto tubime quheshin edhe Kuvende të Besëlidhjës për pajtimin kombëtar shqiptar. Rriten e Aksionit në Lëvizje e tregonte qartë numri i pjesëmarrësve në Tubimet e Pajtimit, por edhe numri i faljeve që promovohej në ato tubime - me përqafime vëllazërore, sikur po e qëllonin me pushkë armikun e përbashkët që u kishte shkelë tokën e nderin. Kjo ishte traditë që ruante edhe kujtesa historike më e re e shqiptarëve të Kosovës[132].

Në muajt e parë të ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia versajase, më 1919, kreu popullor Sadik Rama i Gjyrgjevikut fali një gjak dhe u vu në ballë të Besëlidhjes Shqiptare të Kosovës kundër pushtuesit jugosllav, kurse në ditët e para të shpartallimit të Jugosllavisë versajase, më 1941, kreu i Drenicës, Shaban Palluzha fali një gjak dhe një plagë dhe u vu në krye të Besëlidhjes - Islihatit për faljen e gjaqeve në Drenicë, për t’u bashkuar në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe të tërësisë së Shqipërisë Etnike. Ndërkaq, në momentet kur në Karadak të Kosovës Lindore po depërtonin forcat bullgare fashiste-komuniste më 1944, ishin duke luftuar për gjaqe dy vëllazëri karadakase, e Sylë Qorrajt dhe e Sinan Stanecit. Syla, që kishte për të marrë gjak, u thërriti ndihmëtarëve: «Çka të bëjmë...?», kurse Can Kasumi i Seferëve ia ktheu: «Kthejau pushkët bullgarëve se ne kemi kur t’i marrim gjaqet...!»[133]

Në këtë frymë faleshin edhe gjaqet e vitit 1990, në funksion të bashkimit kombëtar, në shërbim të interesit të përbashkët të Atdheut. Ndaj, ishte krenari që gjaku dhe hasmëria të falej publikisht. Nga ky shkak okupatori i luftoi kuvendet e Besëlidhjes që nga fillimi dhe ato do të tubohen pa leje të okupatorit[134].

Këtu, nuk kemi mundësi të ndalemi gjerësisht në pasqyrimin e Kuvendeve të Besëlidhjes. Mjaftohemi vetëm më të dhënat për vendin, datën e mbajtjes, numrin e pjesëmarrësve dhe numrin e pajtimeve të promovuara në tubimet e pajtimit, ku kanë marrë pjesë mbi 100 veta. Dhe, forca e Lëvizjes do të kuptohet kur të kihet parsysh se rreth dy të tretave e faljeve - pajtimeve janë arritur dhe janë promovuar në «mini - tubime», në oda ose oborre, ku kanë marrë pjesë mestarisht rreth 60 veta, kryesisht veprimtarë të Lëvizjes dhe të afërm të atyre që falnin gjaqet dhe hasmëritë. Ndër Kuvendet e pajtimit gjatë shkurtit-marsit 1990, mund të përmenden:

          Vendi

    data

pjesëmarrës

pajtime

Dobrajë e Madhe (Lypjan)

2 shkurt

3 000

1

Krikovë (Drenicë)

23 shkurt

3 000

1

Shtrubullovë (Drenicë)

9 mars

230

3

Letanc (Llap)

11 mars

250

2

Sankoc (Drenicë)

17 mars

 1 400

1

Krunaticë (Drenicë)

17 mars

1 500

1

Bellacerkë (Rahovec)

17 mars

 4 000

10

Vukoc (Drenicë)

17 mars

1 200

1

Mitrovicë (Oborri i Xhamisë)

17 mars

1 000

2

Prishtinë

17 mars

160

1

Dumnicë (Llap)

18 mars

500

5

Klinë (Drenicë)

18 mars

300

1

Prelloc (Drenicë)

18 mars

300

1

Greme (Ferizaj)

18 mars

500

1

Polac (Drenicë)

18 mars

400

2

Vushtrri (Oborri Vakëfit)

18 mars

1 700

3

Bare (Shalë e Bajgorës)

18 mars

1100

1

Negroc (Drenicë)

18 mars

500

1

Petreviq (Shtime)

19 mars

3 000

1

Terrnë (Ferizaj)

19 mars

110

1

Vodicë-Leshkoshiq (Obiliq)

19 mars

250

2

Përmalinë (Vushtrri)

20 mars

1200

1

Llaushë (Drenicë)

24 mars

800

1

Qirez (Drenicë)

24 mars

1 200

7

Palluzhë (Drenicë)

24 mars

1 600

7

Likoc (Drenicë)

24 mars

2 800

7

Osek Hylë (Gjakovë)

24 mars

120

2

Strofc (Vushtrri)

24 mars

1100

2

Malësi e Re (Prizren)

25 mars

600

1

Savrovë (Sufrekë)

25 mars

3 000

2

Piranë (Prizren)

25 mars

250

1

Gjylekar (Viti)

25 mars

1500

2

Vinarc (Mitrovicë)

25 mars

450

2

Mogillë (Viti)

25 mars

2 000

5

Brabaniq (Mitrovicë)

25 mars

500

2

Retbravë (Prizren)

25 mars

300

1

Bare (Shalë e Bajgorës)

25 mars

850

1

Mazgit (Obiliq)

25 mars

300

1

Beçuk (Vushtrri)

25 mars

700

1

Shtupeq i Math (Rugovë)

25 mars

5 000

18

Roganë (Kamenicë)

25 mars

1 850

6

Klinë (Drenicë)

26 mars

600

1

Marec (Gallap)

26 mars

700

1

Pollatë (Llap)

30 mars

850

4

Bujan (Lypjan)

31 mars

1 000

2

Shashkoc (Janjevë)

31 mars

1 700

4

 

Në këto 46 kuvende të Besëlidhjes, gjatë shkurtit dhe marsit 1990, në kushte të orës policore e të ndalimit të lëvizjeve të personave në grupe prej  më shumë se tre veta, morën pjesë 54 750 veta, të gjithë pjesëtarë të devotshëm të Lëvizjes së pajtimit. Promovimi publik i 124 pajtimeve do të thoshte evitimi i vrasjeve së paku të po aq luftëtarëve për lirinë e Kosovës.

Mirëpo, rezultatet e Lëvizjes gjatë marsit 1990 edhe më qartë do të pasqyrohen po sa të shohim faktin se më 1 prill 1990 në vise të ndryshme të Kosovës u mbajtën 11 tubime masive të popullit për promovimin e 51 pajtimeve të arritura nga fundi i marsit 1990:

      Vendi

  data

pjesëmarrës

pajtime

Hajkobillë (Gallap

1 prill

1 500

2

Grashticë (Gallap)

1 prill

2 000

2

Kamaran (Drenicë)

1 prill

1 250

5

Terpezë (Llapushë)

1 prill

 800

2

Bare (Shalë e Bajgorës)

1 prill

6 500

7

Përmalinë (Vushtrri)[135]

1 prill

1 800

9

Podjevë (Llap)

1 prill

250

1

Lupç i Poshtëm (Llap)

1 prill

2 000

5

Novosellë (Gjakovë)

1 prill

2 200

6

Ana e Istogut

31.03 -1.04

1 500

11

Prejlep (Deçan)

1 prill

110

1

 

Në këto tubime, gjithsesi të pajtimit kombëtar, morën pjesë mbi 19910 veta të vendosur në idealet e Lëvizjes. Kronisti do të konstatojë: «Aksioni i rinisë së Kosovës. Të falësh gjakun para popullit është fisnikëri, burrëri e njerëzi. I lig është ai që vret!»[136], kurse dr. Dritë Statovci, veprimtare e shquar e Lëvizjes, do të konstatojë para masës liridashëse: «T’i  falësh gjakun popullit është krenari, pasuri, forcë. Njeriu ynë me këtë forcë po e ndërton historinë e vet të ndritshme»[137].

Nga fillimi i prillit 1990, Lëvizja për Faljen e Gjaqeve po ecte përpara me fitore kolosale. Më 6 prill 1990, Këshilli i Pajtimit i Preshevës: Jusuf Halimi, koordinator i punëve, Mustafë Cena, bëmirës, dhe studentët veprimtarë: Ramë Buja, Abdullah Zhegrova, Ibish Neziri, Akile Dedinca, Salih Konjufca etj., të gjithë ish-të burgosur politikë, arritën faljen e parë të një gjaku në Bushtran. Këso kohe filloi nga puna edhe Këshilli i Pajtimit i Bujanocit: Fatmir Hasani, Hafëz Nazmi Avdiu, Sevdail Hyseni, Ali Ahmeti, Begzad Avdiu, Bejadin Hasani (koordinator) etj. Po kështu, nga mesi i prillit 1990, përmes lidhjeve me Naser Veliun nga Sërmnova e Gostivarit e Nurie Zekën nga Raushiqi i Pejës, kaluen në Iliridë (Maqedoni) veprimtarët e Grupit nismëtar studentor të Pejës: Myrvete Dreshaj, Lulëzim Ethemaj, Luljeta Grabovci etj. dhe në Gostivar ndihmuan studentët, ish të denuar dhe të përsekutuar politikë: Valdetën, Nafijën, Gëzimin, e të tjerë, për ngritjen e Këshillit të Pajtimit të Gostivarit, në përbërje: Shaip Hamiti (kryetar), Emine Dalipi (sekretare), Myftar Kurti, Jusuf Dalipi, Sylejman Reka, dhe hoxhallarët shumë aktivë: Mulla Murtezan Zyberi, Mulla Musli Bajrami e Mulla Ajdin Xhambazi, duke pasur gjithmonë në ballë të Aksionit studentët veteranë: Valdeten, Nafijen e Gëzimin[138].  Okupatori e përcillte në çdo hap Lëvizjen, por nuk kishte forcë ta ndalonte me dhunë policore, ndaj nuk hiqte dorë nga helmimi i nxënësve si grusht i tërthortë mbi Lëvizjen e pajtimit kombëtar shqiptar, që po arrihej përmes faljes së gjaqeve e të hasmërive[139]. Kjo edhe më shumë i jepte frymë Lëvizjes si përgjigje kundër dhunës gjenocidale serbe e jugosllave mbi shqiptarët. Kryesia e Këshillit Qendror të Kosovës  sa vinte dhe lozte rolin e një si Komitet të Shpëtimit Kombëtar me detyrë që brenda vitit 1990 të arrinte pajtimin kombëtar shqiptar të përgjithshëm. Prof. Anton Çetta, në intervistën dhënë «Zërit të rinisë» të 7 prillit 1990, së këndejmi, i ftonte veprimtarët e këshillave të pajtimit në rajone e komuna: «Të bëni çmos që deri në Vitin e Ri të mos ketë asnjë gjak të pafalur në Kosovë...»[140]. Këso kohe në Kosovë, prej rreth 1 000 gjaqeve të evidencuara, ishin falur 350 gjaqe, fitore kjo që nuk e kishin pritur «edhe prijësit më optimistë të këtij aksioni»[141]

Muaji prill 1990 shënoi kulmin e rritës së Lëvizjes, në funksion të bashkimit politik të shqiptarëve, si stad përgatitor për një konfrontim të plotë me pushtuesin, për sendërtimin e kërkesës shumëvjeçare: Kosova – Republikë, si piemont për çlirimin e tokave etnike dhe historike nën pushtimin jugosllav dhe për bashkimin e Shqipërisë Etnike. Kjo mund të pasqyrohet më së miri me të dhënat nga pjesëmarrja e popullsisë shqiptare në kuvendet e Besëlidhjes - për promovimin e faljeve dhe të bashkimit politik e luftarak shqiptar[142].

Kështu, nëse lihen anash mbi dhjetë tubimet e 1 prillit 1990, midis datave 2-30 prill 1990 u mbajtën edhe 43 Kuvende të Besëlidhjes të përmbyllura me betimin: «Kurrë më gjakmarrje!», «Kurrë më vrasje midis shqiptarëve për interesa të pushtuesit, i cili fuqinë në tokat shqiptare, si dhe gjetkë, e mbështet mbi devizën e vjetër: Përçaj e sundo!»  Këto kuvende janë:

      Vendi

 data

Pjesëmarrës

pajtime

Bivolak (Vushtrri)

2 prill

700

1

Kërpimeh (Llap)

3 prill

500

2

Kodra e Trimave (Prishtinë)

5 prill

1 000

4

Bushtran (Preshevë)

6 prill

190

1

Balincë (Vushtrri)

6 prill

860

1

Brestoc-Krushë (Rahovec)

6 prill

250

4

Piranë (Prizren)

7 prill

500

9

Kodra e Trimave (Prishtinë)

8 prill

300

2

Bare (Shalë e Bajgorës)

8 prill

4 500

7

Çubrel (Drenicë)

8 prill

2 200

4

Vojnikë (Drenicë)

8 prill

2 000

6

Pantinë (Vushtrri)

8 prill

1 700

1

Kastërc (Drenicë)

8 prill

1 800

2

Negroc (Drenicë)

8 prill

1 000

1

Manastirc (Ferizaj)

8 prill

3 000

7

Vojnoc (Shtime)

8 prill

420

4

Metehi (Llap)

9 prill

2 000

5

Henc (Fushë Kosovë)

9 prill

1200

4

Kodra e Trimave (Prishtinë)

13 prill

3 000

10

Prapashticë (Gallap)

14 prill

1800

3

Gërçinë (Has)

14 prill

300

2

Busi (Gallap)

15 prill

 4 000

4

Llabjan (Gallap)

15 prill

3 000

3

Bresalc (Gjilan)

15 prill

10 000

27

Krilevë (Kamenicë)

15 prill

5 000

3

Metehi (Llap)

15 prill

5 000

4

Bare (Shalë e Bajgorës)

15 prill

4 000

6

Zllakuçan (Klinë)

15 prill

15 000

8

Novosellë (Gjakovë)

15 prill

13 000

16

Ana e Deçanit- Klinës

14-15 prill

2 000

23

Matlumë (Kaçanik)

21 prill

20 000

12

Carrallukë-Terpezë (Llapushë)

21 prill

200

2

Zhegoc (Gjilan)

22 prill

3 000

8

Bare (Shalë e Bajgorës)

22 prill

1 200

2

Smirë (Viti)

22 prill

5 000

10

Rahovec (Anadrini)

22 prill

250

2

Prapashticë (Gallap)

22 prill

 3 000

7

Kçiq (Vushrri)

22 prill

900

1

Bubavec (Llapushë)

26 prill

100 000

46

Ruhot (Pejë)

26 prill

25 000

14

Smolicë (Gjakovë)

28 prill

50 000

17

Karaçevë (Kamenicë)

29 prill

250 000

45

Bare (Shalë e Bajgorës)

29 prill

20 000

7

Smallushë-Sllovi (Lypjan)

30 prill

150

5

 

Rezulton se vetëm në 43 tubimet e pajtimit - Kuvende të Besëlidhjes shqiptare, midis datave 2 e 30 prill 1990 morën pjesë mbi 571 010 veta, të bashkuar mbi platformën: Kosova - Republikë! Në këto kuvende, nën betimin «Kurrë më gjakmarrje dhe vllavrasje!», u promovuan 352 pajtime. Nëse kihet

parasysh edhe fakti se më 1 prill 1990 u mbajtën 11 tubime për promovimin e 51 faljeve, del se gjatë prillit 1990 u mbajtën 55 tubime të pajtimit, ku morën pjesë mbi 586 920 veta për të promovuar 403 pajtime. Kjo do të thotë se në Lëvizjen për Faljen e Gjaqeve dhe të hasmërive të tjera tashti ishin hedhur mbi një e katërta e të gjithë banorëve të Kosovës.

Mirëpo as të dhënat e mësipërme nuk pasqyrojnë dimensionet e Lëvizjes gjatë prillit 1990. Realiteti më i plotë për Lëvizjen mund të pasqyrohet nëse kihet parasysh se qysh nga fundi i prillit 1990  Kryesia e Këshillit Qendror të Kosovës  kishte planifikuar organizimin e disa tubimeve për promovimin e faljeve në shumë rajone të Kosovës, të arritura nga fundi i prillit 1990. Mirëpo, okupatori nuk arriti t’i ndalonte ose t’i kufizonte vetëm dy syresh: Kuvendin e Besëlidhjes te Verrat e Llukës dhe Kuvendin e Besëlidhjes në Gjonaj të Hasit.

Realisht,  Kuvendi i Besëlidhjes Shqiptare te Verrat e Llukës, në afërsi të Deçanit,  më 1 maj 1990, shënoi kulmin e forcës së  Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve. Në këtë Kuvend, duke çarë kordonet e policisë, xhadeve, dhiarave e monopateve, arritën rreth 500 mijë veta nga Kosova, Fushëgropa e Preshëvës-Bujanocit, Maqedonia dhe Mali i Zi - të bashkuar si një, në përpjekje për Kosovën-Republikë për të gjithë shqiptarët etnikë nën robërinë jugosllave. Më qartë: në Kuvendin te Verrat e Llukës  morën pjesë rreth një e katërta e shqiptarëve të Kosovës, ose e gjashta pjesë e shqiptarëve nën robërinë jugosllave, për të promovuar 106 pajtime[143].

Madhështia e këtij Kuvendi shqiptar qëndron edhe në faktin se Kuvendi i Besëlidhjes te Verrat e Llukës i zhvilloi punimet disaorëshe në një rrethim të plotë të policisë jugosllave speciale të pajisur me dhjetëra autoblinda me armatim të rëndë. Në të shpërndarë të Kuvendit të Besëlidhjes Shqiptare policia, e veshur në pancir, ia mori fotokamerën gazetarit Josef Pellarosi të agjencisë amerikane «Gjibipiktor» me seli në Vjenë, rrahu dhe maltretoi barbarisht disa qindra veta, 48 veta i arrestoi dhe i dërgoi në vuajtje burgu. Vetëm guximi dhe gatishmëria për sakrificë e dr. Zekeria Canës zbuti pasojat me përmasa të panjohura. Më 2 maj 1990, Gjyqi i Pejës ngriti aktakuza kundër 55 vetave, pjesëmarrës në  Kuvendin e Verrave të Llukës[144].

Më 1 maj 1990, mu në ditën e manifestimit qendror të LëvizjesKuvendin te  Verrat e Llukës, në Veleshtë të Strugës, në Iliridë (Maqedonia Perëndimore), Këshilli i Pajtimit: dr. Agim Vinca, Nazif Zhuta, Irfan Vlashi, prof. Arif Vinca, Shpëtim Pollozhani, Salih Musa etj. arriti faljet e para të dy gjaqeve dhe kështu e promovuan fillimin e Lëvizjes për faljen e gjaqeve në Iliridë, brenda Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare[145].

Kryesia e Këshillit Qendror «Anton Çetta» të Kosovës, në bashkëveprim të ngushtë me këshillat e pajtimit të Vushtrrisë e të Fushë-Kosovës kishte ftuar dy tubime të mëdha të popullit, për 2 maj 1990, në Përmalinë dhe Graboc, kurse në bashkëpunim të ngushtë me këshillat e pajtimit të Prizrenit e të Gjakovës kishte ftuar Kuvendin e Pajtimit në Gjonaj  të Hasit. Policia e pushtuesit, e motorizuar me mjete të blinduara, më 2 maj, herët, rrethoi vendin ku duhej të mbahej  Kuvendi i Përmalinës së Vushtrrisë, maltretoi veprimtarët e Lëvizjes dhe nuk lejoi mbledhjen e Kuvendit, me motivim se «Organizuesi nuk e ka ushtruar kërkesën për një tubim të tillë»[146].

Ndërkaq, në Graboc të Fushë-Kosovës Tubimi i pajtimit do të mbahet në dy vende, në përmasa të ngushta, në oborr të Shkollës, të rrethuar nga policia, dhe në një ograjë të Vëllazërisë Zogiani. Në këto tubime u promovuan 30 pajtime para më se 1 250 vetave, të cilët dhanë betimin: «Çdo gjë për lirinë e Atdheut!» dhe «Gjakmarrja për shqiptarët të mbetet kujtim si Vorret e Krushqve...!»[147]

Policia nuk arriti të ndalonte Kuvendin e Pajtimit në Gjonaj të Hasit, ku arritën mbi 100 mijë veprimtarë e përkrahës të Lëvizjes, për të marrë pjesë në promovimin e 32 pajtimeve të arritura në vise të Hasit, aty nga fundi i prillit 1990 dhe për të marrë pjesë në betimin e përbashkët: «Kurrë më gjakmarrje midis shqiptarëve...![148]

Pushtuesi nuk pati forcë të ndalonte as tubimin e Kuvendit te Bunari i Hajratit në Prishtinë, më 4 maj 1990. Këtë tubim të pajtimit e organizoi Këshilli i Pajtimit i Kodrës së Trimave në bashkëpunim të ngushtë me veprimtarët e Kryesisë së Këshillit Qendror: dr. Muhamet Pirraku dhe dr. Mujë Rugova. Këtu, morën pjesë mbi 200 mijë veta dhe së bashku promovuan 18 pajtime. Dr. Nazmi Krasniqi, duke shtrirë dorën e pajtimit për dy gjaqe, i thërriti masës: «Do të shkrihemi të gjithë në zjarr dhe Kosovën nuk do ta lëmë çiflig të Serbisë, as të Jugosllavisë...!»[149]

Kuvendi i Besëlidhjes i Prishtinës, i datës 4 maj 1990, është tubimi i fundit më i madh për nga numri i pjesëmarrësve, sepse policia e pushtuesit këtu e tutje do të ndalojë paraprakisht tubimet e pajtimit me vendime paraprake e me përdorim të forcës; me tortura, arrestime e burgime të pjesëmarrësve dhe të atyre që do të falin gjaqe e hasmëri. Motivimi i ndalesës ishte uniformik politik-policor: «Ekziston dyshimi i bazuar se në këto tubime do të përhapet urrejtja nacionale, fetare, racore apo mosdurimi»[150].

Pajtimet dhe tubimet e pajtimit për promovimin e faljeve këtu e tutje do të mbahen kryesisht në oda dhe në oborre në prani të pak pjesëmarrësve, deri në 100 veta, e herë-herë edhe me pjesëmarrje të mijëra vetave, të gatshëm për t’u ndeshur me dhunën e okupatorit për lirinë e Kosovës[151]. Më 9 maj 1990 policia e pushtuesit, pasi nuk lejoi mbajtjen e Kuvendit të Pajtimit në Sallagrazhdë, sulmoi Tubimin e Pajtimit në Korishë të Prizrenit, ku për promovimin e 14 pajtimeve arritën të vinin mbi 4 000 veta. Policia urdhëroi shpërndarjen e Kuvendit të Besëlidhjes  dhe arrestoi kryetarin e Kryesisë së Këshillit Qendror të Pajtimit të Kosovës, prof. Anton Çettën, prof. Ramadan Shalën, kryetar i Këshillit të Pajtimit të Sufrekës, dhe studentin Afrim Morina. Në fletëdenoncimin e SPB-së së Prizrenit thuhej se «të pandehurit kanë prishur rendin e qetësinë publike, duke mos respektuar urdhëresat e personit të autorizuar mbi ndalimin e lëvizjes të sanksionuar me nenin 20, al. 1, pika 3 të Ligjit mbi rendin e qetësinë publike të KSA të Kosovës dhe nenin 12, al. 1, pika 1 të Ligjit mbi tubimet publike të RSS». Në vazhdim kërkohej të aplikohej dënimi i përnjëhershëm me burg, sipas nenit 305 të atij ligji[152].

Pengesat administrative e policore të pushtuesit, shpallja e tubimeve si të paligjshme dhe të dënueshme, shtruan për detyrë urgjente para Kryesisë së Këshillit Qendror të Pajtimit që të ftonte kuvendin e përfaqësuesve të këshillave rajonale e komunale të pajtimit, për të shqyrtuar strategjinë e Lëvizjes në rrethana të dhunës gjenocidale dhe të një bllokade juridike, administrative e policore jugosllave. Më 12 maj 1990, Kryesia e Këshillit Qendror vendosi që Kuvendi të mbahej më 19 maj 1990, në anë të arealit të Këshillit të Pajtimit të Pejës, në gjirin e të cilit gjithnjë vepronte bërthama e Grupit nismëtar të Aksionit për faljen e gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave. Më 19 maj 1990 duhej të mbahej një tubim i pajtimit në Hade, për nder të Kuvendit të parë të Lëvizjes, ku do të promovohen pajtimet e arritura në anë të Fushë-Kosovës[153].

Kryesia vendosi që anëtarët e saj dhe veprimtarët e Këshillit Qendror të mbulonin terrenin shqiptar nën pushtimin jugosllav, të viheshin në gjirin e këshillave të pajtimit, të mbanin në këmbë frymën e Lëvizjes, të udhëzonin këshillat komunale e rajonale të pajtimit, të informonin mediat me rezultatet e Lëvizjes dhe të përgatiteshin për të përmbushur kërkesat që do të shtronte Kuvendi i përfaqësuesve të këshillave të pajtimit[154]. Ajo e autorizoi dr. Muhamet Pirrakun që të forconte bashkëpunimin dhe lidhjen e përhershme të Kryesisë së Këshillit Qendror me redaksitë e shtypit dhe të mjeteve të informimit: Radio-Prishtinën, TV Prishtinën, veçanërisht t’i kushtonte kujdes afirmimit të Lëvizjes me shkrime afirmative, ku do të pasqyrohej ajo gjatë përpunimit të rasteve dhe promovimit të faljeve në «mini-tubime», në oda e në oborre.  Në artikujt informativë dhe në Ditarin e pajtimit, të pasqyronte qëllimin dhe programin e Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave një, dhe të pandarë me Lëvizjen Kombëtare Demokratike Shqiptare, pa anësi politike e grupore[155].

 

Përgatitjet për Kuvendin e Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave u mbajtën në rrethana të ndera. Më 18 maj 1990, Rilindja do të botojë informatën, njëkohësisht edhe ftesë për Kuvendin, ku thuhej: «Në fashatin Strellc të komunës së Deçanit, të shtunën, më 19 maj, në orën 11, mbahet mbledhja me nga një përfaqësues të të gjitha nënkëshillave të pajtimit nga komunat e Kosovës, ku Këshilli amë, me Anton Çettën në krye, do të shqyrtojë hollësisht të arriturat e deritashme në këtë aksion të dobishëm e gjithëpopullor, si dhe të merren qëndrime për punën e mëtutjeshme.

Përfaqësuesi që vjen në emër të nënkëshillit me vete duhet të sjellë të gjitha shënimet e rasteve të faljeve të gjaqeve e të pajtimeve të ngatërresave, në mënyrë që të formohet dokumentacioni komplet i pajtimeve»[156].

Botimi i kësaj informate u bë nga Këshilli i pajtimit mikpritës, pa konsultuar Kryesinë e  Këshillit Qendror dhe këtu qëndronte fakti se informata ngërthente disa nocione joadekuate për Lëvizjen. Këshillin Qendror të Pajtimit në këtë Kuvend do ta përfaqësojnë vetëm tre veprimtarë të Kryesisë: prof. Anton Çetta, dr. Zekeria Cana dhe dr. Mujë Rugova. Në Kuvend arritën edhe pesë veprimtarë të anëve të Dukagjinit Verior: akad. Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, dr. Esat Stavileci e  Bajram Kelmendi dhe rreth 100 përfaqësues të 25 këshillave të pajtimit nga mbarë Kosova e më gjerë: Lypjani, Ferizaji, Rugova, Gjakova, Sufreka, Skënderaj, Rahoveci, Gllogoci, Kamenica, Gjilani, Vitia, Malisheva, Vushtrria, Krakushta, Podjeva, Prizreni, Deçani, Klina, Rozhaja, Kaçaniku, Shtima, Istogu, Peja, Gallapi dhe Prishtina.                       

Kuvendi i Parë i hapi punimet nën kryesinë e prof. Anton Çettës, madhështor. Ai nuk foli gjatë dhe ua dha fjalën delegatëve të raportonin për Lëvizjen në viset prej nga vinin. Nuk raportuan përfaqësuesit e Këshillit të Pajtimit të Pejës. Sipas shënimeve jo të plota që mbajti në Kuvend veprimtarja Shukrije Rexha nga Prishtina, dhe të të dhënave që i sistematizoi koordinuesi i punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror, dr. Muhamet Pirraku, doli se në arealin e 25 këshillave të përfaqësuar në Kuvend, ishin arritur 1 519 pajtime (877 gjaqe, 256 plagë, 467 ngatërresa)[157].

Kuvendi, pas një analize të thukët të Lëvizjes, nxori këto konkluzione: Aksioni i Rinisë për Faljen e Gjaqeve është transformuar në Lëvizje qysh nga mesi i marsit 1990, kur u formuan këshillat komunale e rajonale në krye me intelektualë të shquar, kryesisht veprimtarë të LDK-së, kur u ngrit edhe Këshilli Qendror i Kosovës. Kurse nga pjesa e dytë e prillit 1990, ajo u ngrit në Lëvizje Gjithëpopullore Shqiptare për faljen e gjaqeve dhe të hasmërive të tjera, në funksion të kërkesës jetike - të pajtimit kombëtar shqiptar. Me të dhëna të sakta u dëshmua se Lëvizja ishte më e suksesshme në mjediset ku kanë funksionuar këshillat e pajtimit si në ato të fshatit, bashkiake, komunale e rajonale[158].

Kuvendi vendosi, me kompromis ndaj kërkesës së papritur të nismëtarëve të Aksionit, që Grupi nismëtar i 2 shkurtit 1990 të pasurohet edhe me ndonjë anëtarë përfaqësues të këshillave të pajtimit rajonal e komunal dhe të ngrihet në Këshill Koordinues, përkrah Këshillit Qendror të Pajtimit[159], kurse Lëvizja  të vazhdojë me strukturat organizative që kishin dhënë dëshmi e rezultate të papritura, në lidhje bashkëveprimi të punës me Këshillin Qendror të Kosovës[160].

Nga mesi i majit 1990 Këshilli i Pajtimit i Kumanovës: dr. Ramiz Abdyli (kryetar), Mulla Jakup Ramadani, Besa Osmani, Faik Rushiti etj. promovoi 7 pajtime[161]. Okupatori serb-jugosllav, për ta goditur Lëvizjen për Faljen e Gjaqeve, lëvizje kjo politike paqësore, qëllonte vazhdimisht fidanishten e kësaj Lëvizjeje - shkollën shqiptare me helmime të reja[162]. Mirëpo, çdo goditje e okupatorit qëllohej me kundërgoditje shqiptare të Lëvizjes, veprimtarët e së cilës dilnin nga zemra e popullit, dhe si kandilat që nuk mund t’i shuajë asnjë dallgë, natën e bënin ditë[163].

Në ditën që po mbahej Kuvendi i Parë i Lëvizjes, i zhvilloi puinimet Kuvendi i Pajtimit në Hade, në të cilin, ndonse në kushte të ndalesës së tubimeve, arritën mbi 2 000 veta, midis të të cilëve dhjetra profesorë universitarë, të cilët asistuan në aktin më burrëror, në marrjen ngrykë, në rivëllazërimin e në rimiqësimin e 24 familjeve deri dje të hasmëruara e armiqësore. Këtij Kuvendi i dhanë publicitet të madh mjetet e informimit në saje të  besimit që pati drejtuesi i kuvendit, dr. Muhamet Pirraku, ndaj nipave të tij, Sadri e Fahri Berisha të Grabocit, për t’ua falë gjakun e babës së tyre pa qenë ata të pranishëm. Televizioni i Prishtinës në ditarin kryesor të 19 majit 1990, informoi opinionin: «Në tubimin madhështor të pajtimit të gjaqeve në Hade të Fushë-Kosovës, një gjak e fali edhe dr. Muhamet Pirraku; në emër të rinisë së martirizuar, në emër të gjakut të dëshmorëve të kombit, në emër të bashkimit dhe të Flamurit kombëtar, në emër të Lirisë…!».

Ndërkaq, në Tubimin e Pajtimit në Kodrën e Trimave të Prishtinës, më 28 maj 1990, ku u bë promovimi i 14 pajtimeve, prof. Anton Çetta, duke iu drejtuar të pranishmive, i ftoi bashkëkombasit: «Ruajeni vëllazërinë, ruajeni paqen, u qofshin të përjetshme...!», kurse dr. Muhamet Pirraku do t’i thërrasë: «Të bashkohemi në jetë, sot, gati për luftën që na pret, para se të na bashkojë okupatori të vdekur në gremina të pafundshme...!»[164]

Realisht, nga Kuvendi i Parë, më 19 maj 1990, deri në Kuvendin e Dytë, më 18 nëntor 1990, Lëvizja  ruajti vazhdimësinë në anët e Kosovës administrative dhe i forcoi veprimet dhe aktivitetin në anët shqiptare jashtë Kosovës: në Fushëgropën e Preshëves-Bujanocit (Kosova Lindore), në viset e Iliridës (Maqedonia Perëndimore), Plavë e Guci,  Anamal, Ulqin Tivar e Tuz (Mal të Zi) dhe në oazat e mërgatës shqiptare në Evropë dhe në Amerikë. Sukseset e Lëvizjes në këtë periudhë mund të pasqyrohen edhe me të dhënat për Kuvendet e Besëlidhjes, të ftuara dhe të organizuara, në mënyrë guerile e kaçakçe gjatë majit 1990. Nisemi nga fillimi, aty ku Lëvizja dëshmoi kulmin e masivizimit, kur edhe i mori goditjet e forta të policisë e të gjyqësisë jugosllave.

Më herët i kemi përmendur tubimet e popullit më 1,2 e 4 maj 1990: te Verrat e Llukës, 500 mijë veta; të Grabocit ku morën pjesë rreth 1 250 veta, në Gjonaj, ku morën pjesë mbi 100 mijë veta dhe te Bunari i Hajratit të Prishtinës, ku morën pjesë mbi 200 mijë veta. Do të thotë se në Kuvendet e Besëlidhjes Shqiptare në javën e parë të majit 1990 morën pjesë 801 250 veta, para të cilëve u promovuan 186 falje të arritura kryesisht nga fundi i prillit 1990. Gjatë tri javëve të tjera të majit 1990, në 18 tubime të pajtimit morën pjesë mbi 20 880 veta për të promovuar 123 pajtime:

      Vendi

 Data

Pjesëmarrës

pajtime

Lladroc (Llapushë)

6 maj

250

1

Korishë (Prizren)

 9 maj

4 000

14

Anë të Rahovecit

13 maj

500

12

Sllupçan-Llojan (Kumanovë)

15 maj

300

7

Prishtinë

16 maj

500

7

Banullë (Lypjan)

17 maj

700

3

Hade (Fushë-Kosovë)

19 maj

2 000

12

Raskovë (Obiliq)

19 maj

120

2

Tashec (Llap)

20 maj

550

2

Anë të Kumanovës

22 maj

 500

5

Rezallë (Drenicë)

26 maj

2 000

6

Polac (Drenicë)

26 maj

1 000

8

Prekaz i Poshtëm (Drenicë)

26 maj

1 700

9

Kllodernicë (Drenicë)

26 maj

 1 300

6

Kodra e Trimave (Prishtinë)

28 maj

300

14

Vushtrri (Vakëf)

28 maj

200

1

Anë të Preshevës

30 maj

460

9

Llapushnik (Drenicë)

31 maj

1 000

12

Kështu, rezulton se në 21 tubime të pajtimit gjatë majit 1990 u promovuan 306 falje para 818 630 vetave - veprimtarë e përkrahës të Lëvizjes, ose mbi 41% e shqiptarëve të Kosovës. Gjithnjë duhet të kihet parasysh se, për shkak të dhunës e të ndjekjeve policore, pjesa më e madhe e pajtimeve do të promovohet në «mini-tubime», në oda e në oborre të pajtimit. Deri në fund të majit 1990, sipas të dhënave që posedonte koordinatori i punëve në Kryesinë e  Këshillit Qendror të Pajtimit, ishin arritur mbi 900 falje të gjaqeve, të shumë plagëve dhe të shumë ngatërresave [165].

Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, përkatësisht Lëvizja për pajtimin gjithëkombëtar gjatë qershorit të vitit 1990 u zhvillua në rrethana edhe më të ndera të një gjendjeje të jashtëzakonshme, duke shënuar rezultate të mëdha. Më 1 qershor 1990, Këshilli i Pajtimit i Tetovës: dr. Fadil Sylejmani, Mehmet Gega, Abdylaziz Islami, Ramadan Sinani, Ali Kasumi etj. arritën pajtimet e para Në promovimin e këtyre faljeve morrën pjesë rreth 400 veta. Në viset e Tetovës Lëvizjen e ndihmuan veprimtarët: Myrvete Dreshaj, Lulëzim Ethemaj, Luljeta Grabofci e Naim Gjura, të Grupit nismëtarë të Aksionit[166].

Përpjesëtimet e Lëvizjes gjatë qershorit 1990 mund të pasqyrohen edhe me të dhënat për 34 tubimet masive të pajtimit për promovimin e një numri të faljeve gjatë pjesës së fundit të majit dhe gjatë qershorit 1990. Në akëcilin nga këto tubime, kuvende të Besëlidhjes shqiptare, ndonëse në kushte të shtetrrethimit jugosllav, morën pjesë 100 – 5 000 veta të gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi:

      Vendi

    Data

pjesëmarrës

pajtime

Llazicë (Llapushë)

  1 qershor

350

1

Nasalc (Bujanoc)

  2 qershor

100

1

Lybiçevë (Prizren)

  3 qershor

1 000

20

Kushnin (Has)

  3 qershor

600

10

Buzovcë (Tetovë)

  4 qershor

400

7

Pollatë (Llap)

  4 qershor

900

4

Prishtinë (Taslixhe)

  5 qershor

150

4

Grejkoc (Sufrekë)

  5 qershor

280

1

Leshan (Pejë)

  6 qershor

300

3

Anë të Shtimes

  7 qershor

300

8

Prizren (Fam. Koni)

  7 qershor

250

1

Herticë (Llap)

  8 qershor

1 000

11

Nekoc (Drenicë)

  9 qershor

500

15

Tërstenik (Drenicë)

  9 qershor

700

12

Greikoc (Sufrekë)

  9 qershor

250

1

Anë të Preshevës

10 qershor

120

4

Kabash (Viti)

10 qershor

800

9

Teneshdoll (Llap)

13 qershor

250

10

Vuthaj

15 qershor

600

2

Smallushë (Lypjan)

16 qershor

700

8

Selishtë (Zhegër)

17 qershor

1 000

48

Smirë (Viti)

17 qershor

 2 000

  3

Anë të Lypjanit

18 qershor

350

4

Stanoc (Vushtrri)

21 qershor

750

1

Kopenhagë (Danimarkë)

21 qershor

1 500

1

Rahovec (Anadrini)

22 qershor

380

4

Kodra e Trimave (Prishtinë)

23 qershor

500

5

Dumnicë (Llap)

23 qershor

600

4

Abri (Drenicë)

24 qershor

3 000

8

Çenar Çeshme (Gjilan)

24 qershor

300

19

Struzhë (Prizren)

24 qershor

1 000

21

Zllakuçan (Klinë)

24 qershor

700

3

Pleshinë (Ferizaj)

28 qershor

5000

70

Tygjec (Kamenicë)

30 qershor

5 000

38

 

Rezulton se në çdo ditë të qershorit pati më shumë se një tubim të pajtimit, ku morën pjesë mbi 31 600 veta, kryesisht veprimtarë e drejtues të këshillave të pajtimit. Në këto tubime u promovuan 360 falje: gjaqe, plagë e ngatërresa të ndryshme, që mund të përfundonin me gjakderdhje. Këto rezultate i dhanë guxim analitikut Blerim Reka që Lëvizjen ta quante plebishit shqiptar gjithëpopullor i përhapur edhe jashtë Kosovës - në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj., duke konstatuar se faljet, pajtimet, janë jashtëfetare dhe jashtëkombëtare - «në emër të Zotit për mbrojtjen e njeriut si vlerë më e shenjtë»[167].

Ky plebishit shqiptar gjithëpopullor ndikoi fuqimisht në zhvillimet politike në Kosovë, që sollën më 2 korrik 1990 - shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës[168].

Se Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve qëndron në themele të përgatitjeve të aktit të shpalljes së Kosovës - subjekt shtetëror i barabartë me njësitë e tjera shtetërore në Jugosllavinë e pas fundit, të thuash tragjikomik, të Lidhjes së Komunistëve[169], tregon edhe ky fakt shumë i rëndësishëm: Më 2 korrik 1990, në Tuz të Malësisë së Madhe, u mbajt një tubim popullor i më se 30 mijë vetave, shqiptarë nga Malësia e Madhe, nga Tivari, Ulqini, Plavë - Gucia, nga Kosova dhe Maqedonia, kushtuar 20-vjetorit të «Besëlidhjes së Madhe», të lidhur më 1970 te Kroi i Troboinit - për pajtimin e gjaqeve dhe zhdukjen e institucionit popullor të gjakmarrjes në trevat etnike shqiptare të aneksuara Malit të Zi më 1878 e 1913, përkatësisht 1918 e 1945 [170]. Ky Kuvend shqiptar promovoi faljen e katër gjaqeve ekzistuese midis shqiptarëve të Malësisë së Madhe dhe promovoi paqen e plotë ndërshqiptare në Mal të Zi. Mirëpo, Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare të Tuzit qarqet politike malaziase pa vonuar do ta denoncojnë si «manifestim të separatistëve shqiptarë [171].

Dhe, më 3 korrik 1990 në Llapushnik të Drenicës u mbajt një tubim popullor i pajtimit, kushtuar 2 korrikut 1990. Ky tubim u përgatit në vigjilje të mbajtjes së Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990. E përgatiti Këshilli i Pajtimit i Kamaranit dhe koordinatori i punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror të Kosovës. Në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare të Llapushnikut, duke mposhtur vështirësitë e pritat e policisë, arritën mbi 750 veprimtarë e ithtarë të Lëvizjes, midis të të cilëve edhe dr. M. Pirraku, dr. M. Rugova dhe dr. K. Rrecaj dhe në mënyrën më solemne promovoi faljen e gjakut dhe të pesë ngatërresave të fundit në Llapushnik e në fshatrat përreth. Rëndësia e këtij Kuvendi qëndron edhe në faktin se ai aprovoi tekstin e telegramit, me të cilin përkrahej akti historik i delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës. Në atë dokument thuhej:

«Sot, për nderin Tuaj, u fal gjaku i fundit në Bashkësinë tonë lokale. Ky ishte gjaku i fundit i falur në mbi 100 fshatra të Drenicës Jugore të ish-plakut të urtë Tahir Berisha dhe në viset përreth ku ai veproi.

Aktin historik që ju e keni realizuar, e përkrahim vendosmërisht, sepse ai na bëri që për të parën herë ta ndiejmë veten qytetarë të barabartë në jetë e në vetëpërcaktim me të tjerët në Jugosllavi.

Të jeni azhur në aktivitetin Tuaj të ligjshëm e kushtetutar, kurse ne zotohemi se do të zbatojmë kërkesat e urta që Ju i keni shtruar në Deklaratën Kushtetuese»[172]. Radio - Prishtina, TV Prishtina dhe shtypi shqiptar i Kosovës e më gjerë, do të afirmojnë kërkesat shqiptare për liri e pavarësi dhe do të denoncojnë, fuqimisht, dhunën e okupatorit mbi shqiptarët, që kishte për qëllim heqjen e të gjitha instancave pushtetore, policore e administrative shqiptare të Kosovës, aneksimin e plotë të Kosovës Serbisë së Madhe - «Prej Horgoshi deri në Dragash».[173]

Më 5 korrik 1990, në orën 15 e 30 minuta, kordonet e policisë speciale të pushtuesit rrethuan Pallatin e Shtypit. Njëkohësisht ato kishin rrethuar edhe Radio - Prishtinën dhe TV Prishtinën. Ato hynë brenda të armatosur deri në dhëmbë, ndërprenë emisionet në emetim e sipër, krijuan errësirë të paparë në fushë të informimit shqiptar. Aplikuan masat policore e ushtarake të përdhunshme, serbe, në Radio-Prishtinë, në TV, në «Rilindje» dhe në revistën shoqërore e politike «Zëri i rinisë»[174]. Policia e pushtuesit shkyçi programet e Radio-Prizrenit, të Radio-Ferizajt  dhe të Radio - Mitrovicës[175].

Në rrethana të një dhune gjenocidale të tillë vetëm Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve do t’i sfidojë okupatorit jugosllav. Në oda të pajtimit dhe në tubime - kuvende të pajtimit, në rrethana të shtetrrethimit barbar, Lëvizja mbahej e fortë, me synime të papërkulura që të arrinte paqen e plotë ndërshqiptare si kusht për suksese të tjera të Lëvizjes Demokratike Shqiptare. Nga kjo kohë anëtarët e Kryesisë së Këshillit Qendror të Pajtimit: prof. Anton Çetta, dr. Muhamet Pirraku, dr. Mujë Rugova, dr. Musa Limani, prof. Sami Peja, dr. Zekeria Cana, dr. Rexhep Mehmeti dhe dr. Murat Bejta, të ndjekur, sipas nevojës e momentit, nga anëtarët dhe veprimtarët: mr. Mehmet Halimi, Mulla Idriz Kakrruku, Dom Lush Gjergji, dr. Kajtaz Rrecaj, akad. Eshref Ademaj, dr. Dritë Statovci, akad. Mark Krasniqi, Bahtir Sheholli, dr. Mahmut Hysa, dr. Zymer Neziri, dr. Hakif Bajrami, dr. Tahir Abdyli, prof. Hasan Mekuli, prof. Gani Luboteni, mr. Sheremet Krasniqi, prof. Hazir Shala, prof. Behram Hoti, dr. Daut Bislimi, mr. Ibrahim Goçi etj., do të vazhdojnë veprimtarinë sipas kërkesave që do të shtrojnë këshillat rajonale e komunale të pajtimit, për arritjen e faljeve të gjaqeve, të plagëve e të hasëmërive që kishin mbetur pa u realizuar e të cilat tashti Lëvizja i konsideronte si raste «të rënda». Dëshirohej, së fundi, të mbahej e gjallë fryma e pajtimit kombëtar shqiptar si roje kujdestare kundër vrasjeve të reja[176]. Kjo do të arrihet edhe duke bartur aktivitetin e veprimtarisë paqekrijuese në oazat e mërgatës shqiptare, në anë të Preshevës-Bujanocit dhe veçanërisht në anë të Tetovës, më 10 korrik 1990 morën pjesë mbi 5 000 veta,  Çegran të Gostivarit, më 28 korrik 1990,  morën pjesë mbi 50 mijë veta.

Kuvendin e Çegranit dhe Manifestimin në Sërmnovë e organizuan veprimtarët e Këshillit të Pajtimit dhe Dega e Partisë për Prosperitet Demokratik të Gostivarit në krye me Gjyljas Fejzullahun[177]. Më 28 korrik 1990 në fshatin Sërmnovë të Gostivarit, u zbulua Monumenti mbivarror i patriotit Naser Veliu. Monumentin e përuruan dr. Muhamet Pirraku dhe veterani i Lëvizjes Shqiptare Demokratike Mehmet Gega i Tetovës, tri herë i denuar me vdekje nga pushtuesit: bullgarët, italianët e serbët. Në këtë përurim morën pjesë mbi 5 000 veta, pjesëmarrës në Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare të Çegranit.[178]

Me këtë aktivitet paqekrijues e paqeruajtës të KryesisëKëshillit Qendror të Pajtimit dhe të këshillave rajonale e komunale, në periudhën prej 2 korrikut deri më 18 nëntor 1990, pra nga Kuvendi i Tuzit deri në Kuvendin e Dytë të Lëvizjes, gjithnjë synohej të ruhej fryma e Lëvizjes, duke organizuar tubime kaçakçe të pajtimit. Realisht, gjatë muajve të verës: korrik – shtator 1990 u organizuan këto kuvende të pajtimit:

 

     Vendi

     data

pjesëmarrës

pajtime

Tuz (Malësi e Madhe)

2 korrik

30 000

4

Llapushnik (Drenicë)

3 korrik

750

6

Malësi e Tetovës

10 korrik

5 000

41

Dugaivë (Rugovë)

26 korrik

200

1

Bilaçë (Bujanoc)

27 korrik

150

3

Çegran (Gostivar)

28 korrik

50 000

11

Leçinë (Drenicë)

29 korrik

900

7

Bellacerkë (Rahovec)

11 gusht

1000

3

Hoçë e Gjytetit (Prizren)

15 gusht

3 000

18

Llaushë (Drenicë)

28 shtator

700

4

 

Arritja e disa dhjetëra pajtimeve dhe promovimi i faljeve publike të 98 syresh, në këto kuvende të pajtimit para më se 92 700 vetave, kryesisht veprimtarë e drejtues të Lëvizjes, arsyetuan këmbënguljen për vazhdimin e Lëvizjes nga  Këshilli Qendror «Anton Çetta» i Pajtimit[179].

Nga fillimi i gushtit 1990 Kryesia e Këshillit Qendror të Pajtimit kishte informata se krahas rreth 950 gjaqeve, të falura ishin evidencuar edhe rreth 120 gjaqe, midis të të cilave të vjetra edhe mbi një moshë njeriu, e për habinë e drejtuesve të Lëvizjes, rreth ¼ e tyre u përkisnin gjaqeve të elementit katolik në vise të Gjakovës[180]. Dr. Muhamet Pirraku, në një intervistë në Rilindja të 6 gushtit 1990, do të konstatojë: «Shpresojmë dhe do të përpiqemi që deri në fund të vitit (1990) të falen të gjitha gjaqet. Është reale të presim se mund të mbetet ndonjë gjak i pafalur, por qysh tashti mund të themi se Lëvizja Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve ka dhënë rezultate të mëdha dhe është kurorëzuar me sukses, që askush nuk e ka menduar». Dhe, e përmbylli intervistën me konstatimin: «Falja e gjaqeve është fitore mbi vdekjen, dhuratë për paqen e ardhmërinë[181].

Okupatori serbo – jugosllav, më 7 gusht 1990, e ndaloi botimin e gazetës Rilindja, të vetmen gazetë përditore shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi. Me këtë hap goditi rëndë edhe Lëvizjen GjithëpopulloreShqiptare për Faljen e Gjaqeve, sepse Rilindja përreth gjashtë muaj e gjysmë ishte si një buletin i Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve[182]. Në këtë kohë policia e pushtuesit e rriti presionin mbi shqiptarët duke ua ndaluar, madje, edhe përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në gazmende e dasma, me kërcënim se «Flamuri shqiptar këtu (në Kosovë) nuk do të valojë...!»[183].

Megjithatë, Lëvizja për faljen e gjaqeve nuk shuhej. Nga mesi i gushtit 1990 numri i pajtimeve arriti në rreth 2 050, prej të cilave rreth 970 gjaqe, rreth 380 plagë dhe rreth 700 ngatërresa[184]. Në Kuvendin e pajtimit në Llaushë të Drenicës, më 28 shtator 1990, ku u promovuan katër falje para më se 700 vetave, një burrë fisnik, duke ia shtrirë dorën e pajtimit popullit përmes dorës së profesor Antonit, theksoi: «Zotëri Profesor! Të qoftë falë gjaku i dy djemve të mi - Ty, Flamurit dhe Lirisë! Qoftë e mallkuar gjakmarrja dhe hasmin e deridjeshëm e kam dhe e dua për vëlla, për jetë të jetëve...!»[185]

Profesor Anton Çetta, tashti, në një intervistë nga fundi i shtatorit 1990, i hoqi dorëzat. Lëvizjes për faljen e gjaqeve ia pranoi hapur atributet e Lëvizjes për homogjenizimin politik të shqiptarëve: «Me anë të faljes së gjaqeve të realizohej ai afrim i njerëzve, i popullit tonë, afrim që do të ishte më i nevojshëm se kurdoherë më parë»[186].

Ky korife i Lëvizjes faljen e gjakut vazhdimisht e quajti akt të fisnikërisë, të burrërisë dhe shkallë të lartë të patriotizmit, kurse mosfaljen: kryeneçësi, mburravecllëk, sadizëm, mungesë të arsimit dhe të shkallës së ulët të ndërgjegjes kombëtare. Dhe, këtu, paraqiti rëndësinë e ndërlikuar të rolit të rinisë dhe të intelegjencies, duke theksuar: «Intelegjencia solli një ndihmë të madhe në këtë aksion. Rinia luajti rolin e pishtarëve, të elementit luftarak (...). Vrapoi nga fshati në fshat, pa e kursyer kohën as mundin e vet. Në kushte jo të volitshme, duke qenë e ndjekur edhe vetë madje, ajo vraponte t’i pajtonte gjaqet. Në anën tjetër, ndihma e intelegjencies jo vetëm që qe e mirëseardhur për rininë, por qe edhe bindëse për familjet në konflikt. Pjesëmarrja e tyre, si njerëz të pjekur, të cilët gjykojnë me gjakftohtësi, dinë të theksojnë rëndësinë e kësaj lëvizjeje, për ta qe një element shumë i përshtatshëm që t’i bindte se ky aksion ishte domosdoshmëri kohe. Intelektualët gjetën një mbështetje në aktivitetin e rinisë, e rinia gjeti një mbështetje në pjekurinë dhe në logjikën e shëndoshë të intelektualëve, kështu që këto dy subjekte, në bashkëpunim të sinqertë dhe të pakursyeshëm, dhanë rezultatet që u arritën...»[187].

Në vazhdim, prof. Anton Çetta, me një guxim për atë kohë, ofroi edhe disa të dhëna se në shumë gjaqe, në shumë gjakmarrje të shkaktuara pas Luftës së Dytë Botërore, pati dorë policia jugosllave: «Na ka rënë rasti të dëgjojmë kur me një pushkë (në intervale kohore të ndryshme) ishin vrarë gjashtë - shtatë veta. Ç’do të thotë kjo? Pushka e vrasësit dorëzohet në polici (...), por ajo pushkë, pasi kishte vrarë njërin e vranë edhe të dytin, edhe të tretin, edhe të katërtin e kështu me radhë...»

 E përmbylli intervistën me konstatimin se Lëvizja do të vazhdojë deri në fund të vitit 1990 dhe «në qoftë se mbetet ndonjë gjak i pafalur, ajo do të shkojë në dëm të atyre familjeve që nuk e falin gjakun, sepse ato familje do të ndihen të izoluara nga tërësia e popullit tonë»[188].

Në tetorin e vitit 1990, pushtuesi  shtoi presionin, dhunën mbi të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Pushoi qindra punëtorë nga puna. Në Novosellë të Gjakovës policia rrahu priftin patriot Dom Marjan Markaj vetëm për një faj - pse Kishën e fshatit e kishte vënë në shërbim të Lëvizjes për faljen e gjaqeve. Në fillim të nëntorit 1990, pushtuesi ushtroi në gjyqe tre mijë fletëdenoncime për mbylljen e lokaleve afariste me motivim se iu përgjigjen Grevës së përgjithshme të Sindikatës së Pavarur të Kosovës, të 3 shtatorit 1990. U ngritën shumë padi për vepër penale kundër drejtuesve të grevës[189]. Në rrethana të tilla, Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve po hapëronte drejt Kuvendit të Dytë, për të marrë vendime për kahet e mëtutjeshme të Lëvizjes[190]. Kryesia e Këshillit Qendror të Pajtimit, gjithnjë në funksion të ruajtjes së frymës rinore të Lëvizjes, thirrjen e Kuvendit të Dytë për 18 nëntor 1990 ia besoi Grupit nismëtar të Aksionit. Ky Kuvend do të mbahet në Kullën e Beqir Rexhës, në Osek Hylë të Gjakovës, i cili, pasi kishte falur gjaqe, më 24 mars 1990, ishte bërë veprimtar dhe donator i Lëvizjes[191].

Kuvendi i Dytë i Lëvizjes u mbajt në rrethana të ndjekjeve të egra të policisë dhe të shtetrrethimit ushtarak jugosllav, ndaj në Kuvend arritën vetëm rreth 60 veta, përfaqësues të 21 këshillave rajonale e komunale të pajtimit, dhe pikërisht nga Tetova, Gostivari, Deçani, Gjakova, Istogu, Klina, Peja, Presheva, Prishtina, Prizreni, Rahoveci, Rozhaja, Sufreka, Vitia, Vushtrria, Rugova, Bujanoci, Kamenica, Gjilani, Krakushta dhe Lypjani. Policia pengoi ardhjen e përfaqësuesve të këshillave rajonale e komunale të Skënderajt, Gllogocit, Mitrovicës, Podjevës (Llapit), Kaçanikut, Ferizajt, Shtimes, Plavës, Gucisë, Anamalit, Tuzit, Kumanovës, Shkupit, Rozhajës,  Ulqinit, Fushë-Kosovës, Gallapit, Obiliqit, Ohrit, të Malishevës dhe nga oazat e mergatës shqiptare në Evropë dhe në SHBA. Kryesia e Këshillit Qendror të Kosovës u përfaqësua nga prof. Anton Çetta, dr. Muhamet Pirraku, dr. Mujë Rugova, prof. Sami Peja, dr. Musa Limani dhe mr. Ibrahim Goçi[192].

Ky Kuvend i zhvilloi punimet nën udhëheqjen e veprimtarës Havë Shala, në një atmosferë pune e harmonie organizative. Nga raportet e përfaqësuesve të këshillave të pajtimit, të pranishëm, rezultoi: Në arealin e 21 këshillave rajonale e komunale të pajtimit, të përfaqësuara në Kuvend, ishin evidencuar 870 gjaqe, midis të të cilave edhe të vjetra rreth një shekull, me të cilat po merrej brezi i tretë dhe i katërt pas vrasjeve. Doli se, në arealin e këshillave të pranishëm në Kuvend, ishin arritur 1 460 pajtime, prej të cilave: 702 gjaqe, 250 plagë dhe 508 ngatërresa dhe po punohej për faljen e 168 gjaqeve, të 18 plagëve dhe të 32 ngatërresave të evidencuara[193]. Sipas të dhënave që ofroi koordinuesi i punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror, dr. Muhamet Pirraku, në arealin e 19 këshillave rajonale e komunale të pajtimit të papërfaqësuara në Kuvendin e Dytë, ishin falur mbi 368 gjaqe, rreth 120 plagë dhe rrëth 260 ngatërresa[194].

Lëvizja deri në këtë kohë kishte arritur edhe 70 pajtime (25 gjaqe, 5 plagë dhe 40 ngatërresa), midis shqiptarëve në SHBA dhe në Evropë[195]. Së këndejmi, doli se Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve prej 2 shkurtit deri më 17 nëntor 1990 kishte arritur 2 280 pajtime: 1 097 gjaqe, 375 plagë dhe 808 ngatërresa[196].

Në Kuvendin e Dytë të Lëvizjes u sollën të dhëna të përafërta  se «kanë mbetur pa u falur edhe rreth 210 gjaqe të evidencuara, dhjetëra plagë dhe dhjetëra ngatërresa»[197]. Më shumë gjaqe të pafalura kishte në arealin e Këshillit të Pajtimit të Gjakovës, 40 syresh, në vise të Podjevës 35, të Tetovës 16, të Pejës 15, të Preshevës 14, të Deçanit 13, të Klinës 13, të Prizrenit 9, të Sufrekës 7, të Vitisë 7 dhe të Rahovecit 6 gjaqe, në të cilat po punohej për falje. Gjaqe të pafalura kishte edhe në arealin e këshillave të tjerë të pajtimit[198].

«Kuvendi i Dytë i Lëvizjes analizoi gjendjen dhe konstatoi se Lëvizja është zhvilluar në një frymë gjithëpopullore; se në Lëvizje nuk arriti të depërtojë armiku; Lëvizja shërbeu edhe si korrektuese për shumë persona, për kthimin e tyre në kopenë e vet kombëtare; për Lëvizjen është e huaj çdo përpjekje për dezinformim, hedhjen e dyshimeve ndaj Lëvizjes dhe veprimtarëve dhe për përçarje; Lëvizja, me gjerësinë dhe thellësinë e saj, në të gjitha vendet shqiptare dhe në emigrim, tregoi unitetin e popullit dhe shprehu aspiratat politike kombëtare e demokratike shqiptare» - shkroi kronisti besnik i ngjarjes[199].

Kuvendi i Dytë i Lëvizjes aprovoi programin orientues global për vazhdimin e Lëvizjes deri në momentet që do të tregohet e paarsyeshme ruajtja e saj institucionale: «Falja e gjakut burrërisht, për nder të rinisë, të popullit, të Flamurit dhe të bashkimit kombëtar etj.»[200]. Ndonëse, si parim, qëndronte deklarimi që gjaqet, plagët dhe ngatërresat e ndodhura pas 2 shkurtit 1990 të mos merreshin në konsiderim për falje e pajtim mbi kërkesat madhore të Lëvizjes, të theksuara shkurtimisht më sipër, në terren, në shumë raste, Lëvizja ndërhyri, në mënyrë të tërthorët, për të parandaluar vrasjet e tragjeditë e reja, meqë populli kishte shpallur distancim të plotë ndaj organeve të policisë, të gjyqësisë dhe të jurisprudencës së pushtuesit. Pra, veprimtarët e Lëvizjes do të paraqiten si arbitër midis të të ngatërruarve, si faktor paqeruajtës e paqekrijues midis individëve, familjeve e vëllazërive. Ishte e qartë se aty ku ka jetë, ekzistojnë edhe mosmarrëveshje, ka edhe vrasje, fakt i dëshmuar në Bibël e në  Kur’an[201].

Me qëllim që të institucionalizohen format e ndihmave vullnetare për skamnorët e njekur nga puna, Kuvendi morri vendim për ngritjen e aksionit: Familja ndihmon familjen,[202] nNë fund, Kuvendi i Dytë i Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, veprimtarëve të Lëvizjes, familjeve që kishin për të falur gjak e hasmëri dhe popullit, ua drejtoi një thirrje në të cilën thuhej:

«Veprimtarët e LFGJ-së të thellojnë aktivitetin në të gjitha viset dhe në të gjitha familjet që kanë pasur humbje tragjike të anëtarëve të familjes, plagë e ngatërresa. Lëvizja duhet të vazhdojë me intensitetin e fillimit. Këshillat e pajtimit, të cilat nuk arritën të përfaqësohen në Kuvendin e Dytë, të lidhen me Këshillin Qendror «Anton Çetta» dhe brenda dhjetorit të sillen të gjitha të dhënat statistikore dhe raportet nga puna.

U bëjmë apel familjeve që kanë për të falur gjak, plagë dhe ngatërresa që t’i bashkohen LFGJ-së. Koha jonë kërkon edhe sakrifica të reja. Brezi ynë e ka borxh historik që jo vetëm veten, por edhe të vdekurit, gjakun e derdhur në mënyrë barbare nga kriminelët e gjakut tonë, t’i vë në shërbim të historisë dhe të ardhmërisë së popullit tonë. Gjaku i falur sot ka rëndësinë e gjakut të derdhur në përpjekjet e gjata për liri kombëtare e demokratike shqiptare.

I thërrasim individët, masat dhe popullin mbarë - të thellohet LFGJ-ja. Të veprohet në çdo familje dhe në çdo individ, në rrethin e tyre familjar e miqësor. Të punohet edhe për faljen e ngatërresës së fundit dhe për shuarjen e çdo vatre të krizës te individet dhe te familjet, ku mund të shkaktohet gjakderdhje e re. Falja e gjaqeve nuk do të thotë vetëm paqe e familjeve të hasmëruara, por ruajtje e unitetit kombëtar të nevojshëm sot më shumë se kurrë!» - përfundonte Apeli.[203]

Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve u la të vazhdohet si alterenativë e qartë politike paqekrijuese e paqeruajtëse shqiptare përballë dhunës gjenocidale serbe e jugosllave së paku deri në njëvjetorin e fillimit të Aksionit të rinisë për faljen e gjaqeve, pra deri më 2 shkurt 1991. Numri i pajtimeve këtu e tutje nuk mund të ishte numerik, por rëndësia e çdo faljeje ishte e madhe për rrethanat politike. Edhe një falje e vetme në javë, do të mjaftonte për të mbajtur të gjallë frymën e afrimit, të bashkimit dhe të pajtimit gjithëshqiptar. Nga mesi i dhjetorit 1990, Lëvizja mori hov edhe në vise të Kërçovës, ku vepronte

Këshilli i Pajtimit: Zeqir Emini (kryetar), Ferit Ramadani, Bahtiar Rrushaj, Nexhmedin Rushiti, Milaim Zyberi, Xhabir Bajrami, Shefki Dalipi,  mr. Hamit Mehmeti, Musa Demiri, dr. Ilaz Kadriu, Hasan Shabani, Olloman Sylejmani etj.[204] Realisht, të dhënat për 12 tubimet e pajtimit gjatë dhjetorit 1990 dhe janarit 1991 arsyetuan kërkesen për ruajtjen e Lëvizjes. Ishin këto falje për kurorën e Lëvizjes, të cilat pasqyronin shtrirjen e saj në të gjitha tokat shqiptare të okupuara nga sllavët e jugut. Këto kuvende të Besëlidhjes shqiptare, janë:

    Vendi

      data

pjesëmarrës

pajtime

Preshevë

16 dhjetor

180

3

Kromovik (Llapushë)

20 dhjetor

200

1

Kolibare (Kërçovë)

23 dhjetor

600

3

Garanë (Kërçovë)

23 dhjetor

110

1

Remnik (Viti)

26 dhjetor

150

2

Pozharan (Viti)

26 dhjetor

120

3

Zajaz (Kërçovë)

5 janar 1991

115

1

Carrallukë (Llapushë)

7 janar

180

1

Maxhunaj (Vushtrri)

12 janar

120

1

Skënderaj (Drenicë)

17 janar

250

1

Zhur (Prizren)

24 janar

250

1

Grazhdanik (Prizren)

24 janar

130

1

Bilushë (Prizren)

24 janar

1 000

3

Vushtrri (Oborr i Vakëfit)

24 mars

1 100

1

 

Doli se, ndonëse në rrethana të dimrit të rëndë e të shtetrrethimit të hekurt, vetëm për promovimin e 23 faljeve në këto kuvende të Besëlidhjes shqiptare morën pjesë mbi 4 505 veta, kryesisht veprimtarë më të shquar të Lëvizjes. Të dhënat e tjera vërtetojnë se gjatë dhjetorit 1990 dhe janarit 1991 pati edhe mbi 20 falje të tjera, promovimi i të cilave u bë në «mini-tubime», në oda të pajtimit, ku merrnin pjesë më pak se 100 veta për çdo pajtim.[205]

Nga fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit 1991, prof. Anton Çetta qëndroi në SHBA, ndaj Kryesinë e Këshillit Qendror të Pajtimit, si gjithherë kur prof. Antoni nuk gjendej në Kosovë, e drejtonte koordinatori i punëve në Kryesi, dr. Muhamet Pirraku. Më 28 janar 1991, Kryesia në përbërje: prof. Sami Peja, dr. Mujë Rugova, dr. Kajtaz Rrecaj, dr. Musa Limani, dr. Tahir Abdyli dhe dr. Muhamet Pirraku, aprovoi tekstin e Informatës për të shënuar Njëvjetorin e Lëvizjes. Me këtë dokument duhej të jepeshin udhëzime për kahet e zhvillimit të mëtutjeshëm të Lëvizjes. Këtë «program» të Lëvizjes do ta botojnë gazetat Bujku e Rilindja, në Kosovë dhe në ekzil, më 2 shkurt 1991. Në këtë dokument, midis të tjerash, thuhej:

«Më 2 shkurt 1991 bëhet një vit nga dita kur në Lumbardh të Deçanit u vu në jetë ideja e kahmotshme e Lëvizjes Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave. Platforma e kësaj Lëvizjeje ishte dhe mbeti e përjetshme: burrat burrërisht falin në emër të rinisë, të lirisë, të flamurit dhe të bashkimit kombëtar.

U fillua si aksion i të rinjve, kryesisht ish-të burgosur politikë, por shumë shpejt u rrit në Lëvizje gjithëpopullore, e cila i legalizoi kërkesat shekullore të popullit shqiptar për pajtimin gjithëkombëtar dhe për bashkimin e popullit shqiptar mbi platformën politike e shoqërore, që synon Evropa e bashkuar e shekullit XXI.

Kjo është e para Lëvizje gjithëpopullore shqiptare që u lind nga gjiri i popullit pa asnjë nxitje nga jashtë, që u zhvillua me forca kombëtare të vetë popullit, pa asnjë ndihmë materiale dhe fizike nga jashtë dhe që u kurorëzua me suksese aq të mëdha, çfarë nuk i ka të njohura asnjë lëvizje humaniste në botë.

Popujt e ndryshëm të botës e kanë çrrënjosur gjakmarrjen me ndihmën e ligjeve, me sanksione represive të pushtetit, kurse zhdukja e gjakmarrjes, në mungesë të shtetit kombëtar, në kushte të robërisë dhe të shtetrrethimit policor dhe ushtarak të huaj, siç po e realizon populli shqiptar jashtë Shqipërisë londineze, është befasi që mahniti botën dhe i gjunjëzoi armiqtë albanofobë shekullorë.

Populli shqiptar, i lidhur me vargonjtë që ia kurdisi Evropa, i tregoi botës se ende është gjallë dhe vital, me fuqi prometeu që vetë mund t’i zgjidhte problemet dhe pengesat e brendshme për ardhmërinë, pa e derdhur asnjë pikë gjaku as shqiptar dhe as tjetër, vetëm se ky popull duhet të lihet i lirë, vetë të vendosë për fatin e tij të ardhshëm.

Paqja kombëtare, që u krijua në Kosovë dhe gjetkë ndër shqiptarë, duke falur rreth 4 000 hasmëri (gjaqe, plagë ngatërresa e hidhërime)[206], të vjetra e të reja, është pengu më i mirë që tregon se edhe në shtetin Shqipëri mund të zhvillohen proceset demokratike pa gjakderdhje vëllazërore. Ky është amanet i nënave kosovare, që i falën gjaqet e të bijve e bijave për ardhmërinë tamam njerëzor të popullit shqiptar, është urdhër i gjakut të rinisë shqiptare të Kosovës së martirizuar.

Lëvizja për Faljen e Gjaqeve zgjati një vit, ngase ishte dhe është e penguar nga shumë faktorë. Pengesat e pushtetit që ajo të mos merrte përmasat e një Lëvizjeje gjithëpopullore e gjithëkombëtare shqiptare bënë të mos evitohen plotësisht edhe pengesat e natyrës me karakter të brendshëm, si shkaku se shumë burra që kishin për të falur janë në kurbet jashtë vendit dhe nuk mund të kthehen në Kosovë; shkaku se në gjirin e shumë familjeve që duhej të falin kanë ndonjë anëtarë të sëmurë psikikisht si pasojë nga humbja e më të dashurve dhe këta nuk kanë kushte të shërohen; shkaku se në shumë familje të gjakësuara, si rrjedhim nga rënia në bela, nuk ka depërtuar arsimimi kombëtar në masë të duhur; shkaku se shumë vëllazëri, që duhet të falin, nuk qëndrojnë në marrëdhënie të mira vëllazërore për shkak të problemeve pronësore të pazgjidhura drejt, e mungon ndihma juridike e shtetit; shkaku se në disa familje të hasmëruara ka arritur të depërtojë policia e pushtuesit dhe ajo nuk lejon pajtimin e familjeve shqiptare, duke mbajtur në jetë maksimën Dividae et impera (Përçaj e sundo) dhe, së fundi, për shkak se u penguan të viheshin në jetë Deklarata e 2 Korrikut 1990, për pavarësinë e Kosovës në kuadër të Federatës – Konfederatës së Jugosllavisë, të pëcaktuar me Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Duke pasur parasysh të gjitha këto pengesa, të cilat janë të pranishme ende, në këshillimin që pati bërthama udhëheqëse e Lëvizjes, u vendos:

Lëvizja Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, të shkaktuara para datës 2 shkurt 1990 (në të cilat ka filluar puna për faljen e tyre), të vazhdojë deri në fund të shkurtit, kur do të mbahet Kuvendi i Tretë i Lëvizjes; këshillat dhe veprimtarët e pajtimit në mbarë trojet shqiptare dhe në vendbanimet me qëndrim të përkohshëm në botë të veprojnë urgjentisht në shuarjen e ngatërresave të reja; këshillat e pajtimit t’i dërgojnë, deri më 15 shkurt 1991, informatat e plota për numrin e faljeve dhe për numrin e hasmërive të pafalura sipas kategorive: gjaqe, plagë dhe ngatërresa.

Trupi koordinues i aktivitetit të këshillave të pajtimit u apelon veprimtarëve të partive politike në trojet gjithëshqiptare dhe në botë që bashkimin e popullit, të arritur me sakrifica mbinjerëzore - përmes faljes së gjaqeve dhe të hasmërive, në emër të rinisë dhe të ardhmërisë,

ta ruajnë, të mos e keqpërdorin për qëllime politike, karrieriste, sot as kurrë, por vetëm për qëllime humane, të lirisë dhe të ardhmërisë së popullit shqiptar të bashkuar në Evropën demokratike.

Vendimi për lëshimin e një Informate me kërkesa e porosi të tilla u mbështet në tri shkaqe madhore: koordinatori i punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror kishte informata të sigurta nga terreni se këshillat rajonale e komunale të pajtimit kishin të evidencuara edhe mbi 200 gjaqe, disa plagë dhe disa ngatërresa të papajtuara. Pritej falja dhe pajtimi edhe i një numri të madh të hasmërive, pasi në shumë familje e vëllazëri kishte filluar përpunimi i rasteve dhe kishte sinjale të shpresës për faljen e tyre; Kryesia dëshironte dhe planifikonte transformimin gradual të Lëvizjes në instrument institucional paqekrijues të Republikës së Kosovës në rrethana të okupimit. Lëvizja do të mbyllej me një kuvend të tretë, në momentin kur do të tregohej koha më e përshtatshme për shpalljen e aktit të transformimit të Lëvizjes në instrument paqeruajtës të Republikës së Kosovës; dhe, e treta, prof. Anton Çetta, personalitet me të cilin tashti personifikohej Lëvizja, ishte në SHBA dhe nuk mund të dihej se kur do të kthehej në Kosovë.[207]

Zhvillimet e mëvonshme i vërtetuan si të drejta këto qëndrime. Prof. Anton Çetta, sapo u kthye nga SHBA, i vlerësoi lart kërkesat që shtronte Informata e 2 shkurtit 1991 dhe nguli këmbë: «Lëvizja nuk mund të mbyllet, thënë kushtimisht, me pikë, por duhet të transformohet, gradualisht, në një instrument roje kujdestare për ruajtjen e paqes së arritur midis masave (...). Kosova paska qenë e mbytur në gjakun e vet dhe kush, pos nesh, mund ta lajë nga ai gjak...!».[208]

Java e parë e shkurtit 1991 u përmbyll me një gjykim të paprecedencë. Gjyqi Komunal i Gjilanit e dënoi me një vit burg veprimtarin e Lëvizjes në anë të Gjilanit, Mulla Enver Rexhepin, imam i Xhamisë së «Dere Mëhallës», për një faj të hershëm, pse më 20 shkurt 1990, me të tërë xhematin iu bashkua demonstratave për Republikën e Kosovës.[209]

Më 18 shkurt 1991, Kryesia e Këshillit Qendror të Pajtimit në përbërje: prof. Anton Çetta, dr. Muhamet Pirraku, dr. Mujë Rugova, dr. Musa Limani, prof. Sami Peja dhe dr. Rexhep Mehmeti, diskutoi lidhur me kërkesën e disa veprimtarëve të Grupit nismëtar të Aksionit, për mbylljen e Lëvizjes brenda muajit shkurt 1991. Pas shqyrtimit të të gjitha shkaqeve që ndikuan në lindjen dhe zhvillimin e Lëvizjes, u nxor konkluzioni: «Rrethanat që ndikuan në lindjen e Aksionit të Rinisë për Faljen e Gjaqeve janë të pranishme në një shkallë edhe më të theksuar, ndaj Lëvizja nuk bën të mbyllet, duhet të lihet e hapur së paku edhe gjatë vitit 1991,  me kusht që vazhdimisht të transferohej në instrument institucional të Republikës së Kosovës në kushte të okupimit jugosllav. Këtë frymë e kishin dhe duhej ta kenë të gjithë artikujt afirmativë të dalë nga pena e koordinatorit të punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror  të Kosovës, e të tjerët».[210]

Këto konkluzione do të zbërthehen nga prof. Anton Çetta dhe dr. Muhamet Pirraku, në program të Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, që do të vazhdojë më se paku edhe gjatë vitit 1991, në Tubimin e Pajtimit në Mleçan të Llapushës, më 23 shkurt 1991, ku u promovua një falje e gjakut «të rëndë». Duke i bërë jehonë këtij Kuvendi të besëlidhjes shqiptare, koordinatori i punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror informonte opinionin: «Në komunën e Lypjanit u falën të gjitha gjaqet. Në komunën e Vitisë - edhe një gjak i pafalur, kurse në komunën e Malishevës edhe dy gjaqe të pafalura»[211].

Në vazhdim të informatës theksohej se «Lëvizja për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave dha rezultate historike. Rezultatet më të mira ishin në viset ku më shumë ka depërtuar shkollimi dhe në të cilat forcë bartëse të Lëvizjes ishte rinia studentore. Por, Lëvizja nuk po pushon. Tash është vënë në veprim një mekanizëm tjetër. Janë bashkuar të rinj dhe pleq - dhe janë zotuar: ’Do të përpiqemi edhe për faljen e gjakut të fundit, të shkaktuar para 2 shkurtit 1990, kur iu vu themeli Lëvizjes gjithëpopullore të Paqes së Madhe gjithëkombëtare».[212]

Kuvendi i Besëlidhjes shqiptare i Mleçanit «mori iniciativën që Lëvizja për Faljen e Gjaqeve e 2 shkurtit 1990 - 2 shkurt 1991, të transformohet në një mekanizëm paqeje, të përbërë nga të gjitha shtresat, nga pleqnarë, nga intelektualë dhe nga përfaqësues të fesë. Pra, të shndërrohet në një institucion të pajtimit, i cili do të punojë në përputhje me kërkesat që shtron jeta dhe ardhmëria e popullit tonë!»[213]

Numri i madh prej rreth 1/6 e të gjitha pajtimeve - falje gjaqesh, plagësh e ngatërresash dhe mosndodhja, të thuash, e asnjë vrasjeje për gjakmarrje në një popullsi prej mbi tre milionëshe nën robërinë jugosllave, arsyetoi këmbënguljen e Kryesisë së Këshillit Qendror të Pajtimit për mosmbylljen e Lëvizjes gjatë tërë vitit 1991. Për ruajtjen e frymës së Lëvizjes do të shfrytëzohen manifestimet për Njëvjetorin e Lëvizjes në areale të këshillave të pajtimit dhe aty-këtu, kur do të krijohen mundësi, edhe përmes tubimeve më të mëdha, kaçakçe, për promovimin e faljeve. Realisht, gjatë vitit 1991, në rrethanat e shtetrrethimit policor, do të mbahen vetëm shtatë tubime për promovimin e dhjetë pajtimeve nga rreth 728 pajtime të arritura nga 1 shkurti 1991 deri në fund të vitit 1991:

        Vendi            

   data

pjesëmarrës

pajtime

Kuvendi i Smallushës (Lypjan)

  2 shkurt

1000

përvjetor

Kuvendi i Mleçanit (Llapushë)

23 shkurt

300

1

Kuvendi i Gjylekarit (Viti)

  3 mars

350

1

Kuvendi i Bellacerkës (Rahovec)

15 mars

1000

përvjetor

Kuvendi i Vushtrrisë (Vakëf)

22 mars

1100

1

Kuvendi i Shtupeqit të Math (Rugovë)

30 mars

300

Përvjetor

Kuvendi i Bubavecit (Llapushë)

14 prill

20 000

Përvjetor

Kuvendi i Dubovikut (Deçan)

  1 maj

2 200

Përvjetor

Kuvendi i Përmalinës (Vushtrri)

  2 maj

3 000

1

Kuvendi i Carrallukës (Llapushë)

  7 maj

250

1

Kuvendi i Zatriqit (Rahovec)

  9 maj

600

3

Kuvendi i Duhlës (Sufrekë)

30 shtator

1 400

2

 

            Gjatë vitit 1991 forca e Lëvizjes para okupatorit, së kendejmi, u manifestua në dymbëdhjetë Kuvende të Besëlidhjes shqiptare, në të cilat morën pjesë rreth 31 800 veta. Ky numër i pjesëmarrësve në Lëvizje është shumë më i madh kur dihet se në çdo falje gjatë vitit 1991 mesatarisht kanë qenë të angazhuar rreth 60 veta, kryesisht veprimtarë e ndihmëtarë të Lëvizjes[214]. Do të thotë, gjatë vitit 1991, në Lëvizje, për të arritur rreth 728 pajtime në oda, ishin të angazhuar rreth 43 680 veta. Kur këtij numri i bashkohet numri i pjesëmarrësve në 12 Kuvendet e Pajtimit, del se gjatë vitit 1991 moren pjesë 75 480 veta[215].

Për ruajtjen e frymës së Lëvizjes gjatë vitit 1991 dhe në pjesën e parë të vitit 1992, dhanë ndihmesë të madhe shkrimet afirmative të koordinatorit të punëve në Kryesinë e Këshillit Qendror të Kosovës, shkrime këto të miratuara nga prof. Anton Çetta dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë. Për të parë rëndësinë e këtyre shkrimeve, po sjellim vetëm disa fragmente nga disa syresh.

Duke folur për Kuvendin e Pajtimit të 3 marsit 1991 në Gjylekare të Vitisë, Pajtim Shala, thërriste:

«Kosovë, Nënë...!

Lëshoje namën mbi ata që nuk ndjekin shembullin e Lypjanit dhe të Vitisë. Jepi fund gjakmarrjes, kësaj plage kanceroze që na shitoi më shumë se robëria 2 000-vjeçare!

Evropë, Kosova ta ka mësyrë burrërisht, fisnikërisht, njerëzisht - e përgjakuar, por fisnike dhe e civilizuar!»[216]

Ndërkaq, duke përmbyllur kronikën për Kuvendin e Bellacerkës së Rahovecit të 17 marsit 1991, do të konstatojë: «Kur të përmendim emrin Bellacerkë të fshatit, ta heqim kapelën. Është fshati më i organizuar i Kosovës në frymën e programit politik e kombëtar demokratik të LDK-së».[217]

Dhe, për model betimi dhe besëlidhjeje në mjedise e rajone të ndryshme do të shërbejë teksti i betimit të Besëlidhjes së Përmalinës së Vushtrrisë të 2 majit 1991, të brohoritur nga Kuvendi i më se 3 000 vetave:

«Betohemi në tokën dhe gjuhën amtare!

Betohemi në Besën shqiptare!

Betohemi në gjakun e martirëve tanë!

Betohemi në Flamurin tonë kombëtar;

Se po lidhim Besën Shiqiptare,

Që kurrën e kurrës më -

Të mos ketë vrasje

As hakmarrje[218]

Më 15 korrik 1991, Kryesia e Këshillit Qendror të Kosovës, në një konsultim me një pjesë të madhe të drejtuesve të këshillave rajonale e komunale të pajtimit, vendosi: «Lëvizja vazhdon në rrethana ekzistuese me detyrën e rojës kujdestare për ruajtjen e unitetit politik e kombëtar të arritur midis masave. Të bëhet përpjekje për arritjen e pajtimit në ato familje ku është punuar për faljen dhe të intervenohet për shuarjen e ngatërresave që mund të përfundojnë me gjakderdhje».[219]

Në Kryesi mbretëronte mendimi se: «Lufta midis shqiptarëve dhe serbëve është e paevitushme, ndaj vazhdimësia e pandërprerë e Lëvizjes është e domosdoshme...![220]

Dhe, vetëm më 11 shtator 1991, prof. Anton Çetta do të dalë me mendimin publik se «Aksioni do të mbyllet sivjet», ndaj i ftoi këshillat e pajtimit në komuna e rajone që t’i dërgonin të dhënat sipas formularëve që u ishin shpërndarë dhe t’i dërgoheshin Këshillit Qendror për shkruarjen e Librit të pajtimit.[221]

Mirëpo, gjendja gjithnjë më kërcënuese do të ndikojë që Lëvizja të mos ndërpritej edhe gjatë dimrit 1991/92. Kryesia e Këshillit Qendror do t’i udhëzojë kryesitë e këshillave rajonale e komunale të pajtimit që aty ku nuk do të kishin sukses për faljen e gjaqeve e të hasmërive të kërkonin besë të gjatë për bllokimin e hakmarrjes e të gjakmarrjes - «deri në jetësimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, kur çështja (gjaku ose hasmëria) do t’u besohen gjyqeve të Republikës së Kosovës për zgjidhje...!»[222]

Rezultatet e kësaj strategjie të re të Lëvizjes nuk munguan. Dhjetëra zot shtëpie, të cilët duhej të falnin gjaqe dhe këtë nuk kishin forcë ta bënin, iu përgjigjën kërkesës për besë të pakufizuar.[223] Më 25 shkurt 1992, Kryesia e Këshillit Qendror, duke pasur mendimin e shumë veprimtarëve nga terreni, vendosi: «Lëvizja në formën e deritashme do të përmbyllet nga mesi i majit 1992, në prag të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Republikës së Kosovës. Deri në këtë kohë të përshpjetohen punët në mbledhjen e të dhënave për faljet e gjaqeve, të plagëve dhe të ngatërresave dhe të hidhen në formularët (librat) e pajtimit, me interes për studime sociologjike e etnokulturore shqiptare (...) etj.»[224]

Në vazhdën e përgatitjeve për Kuvendin e Tretë të Lëvizjes anëtarët e Kryesisë së Këshillit Qendror, duke ndihmuar këshillat rajonale e komunale, i udhëzuan për mënyrat e transformimit të Lëvizjes në instrument institucional paqekrijues e paqeruajtës të Republikës së Kosovës. Këtë strategji do ta përpunojnë edhe në tri tubime masive për promovimin e tri faljeve, ku morën pjesë mbi 930 veta:

         Vendi

   data

pjesëmarrës

pajtime

Në Kuvendin e Lluçanit (Bujanoc)

20 prill

120

1

Në Kuvendin e Makocit (Gallap)

27 prill

110

1

Në Kuvendin e Korenicës (Gjakovë)

  2 maj

700

1

Këtu sikur e kërkon momenti të konstatohet se në periudhën e Lëvizjes midis  2 shkurtit 1990 dhe 2 majit 1992, u mbajtën 196 kuvende të pajtimit, në të cilat morën pjesë mbi 1 538 680 veta, gjinish e moshash të ndryshme. Në këto kuvende u bë promovimi i 1 328 pajtimeve të gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave.[225]

Dhe, më se një herë kemi konstatuar se Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, u mbyll me Kuvendin e Tretë të Lëvizjes, më 17 maj 1992.

Realisht, më 3 maj 1992, Kryesia e Këshillit Qendror të Pajtimit vendosi definitivisht 17 majin për ditë të mbajtjes së Kuvendit III të Lëvizjes Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, kurse më 4 maj 1992, përmes programit shqip, të përkohshëm, të Radio - Zagrebit u ftuan veprimtarët e Lëvizjes dhe drejtuesit e këshillave të pajtimit t’i bënin përgatitjet e duhura për kuvend. Për shkaqe sigurie, nuk do të përmendet data e mbajtjes së Kuvendit. Në dokument, tekstualisht, thuhej:

«Këshilli Koordinues i Lëvizjes Gjithpopullore të Pajtimit të Gjaqeve i bën me dije të gjithë veprimtarët e vet se çdo këshill lokal i pajtimit duhet që sa më parë të kompletojë dokumentacionin e pajtimit

të gjaqeve, të plagëve dhe të ngatërresave. Këtë dokumentacion duhet dorëzuar personalisht në Këshillin Koordinues në Pejë ose në Prishtinë.

Po ashtu, i bëjmë me dije veprimtarët tanë që t’i kryejnë punët e pakryera sa më shpejtë, sepse në gjysmën e dytë të këtij muaji do të mbahet në Prishtinë Kuvendi III i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjajqeve, kurse delegatet e Kuvendit të miratojnë, përveç vendimeve të tjera, edhe projektin e Librit të pajtimit, afatin e realizimit të tij dhe ekipin realizues».

Dokumentin e nënshkruan: prof. Anton Çetta dhe studentët Myrvete Dreshaj dhe Ethem Çeku - «për Këshillin Koordinues të Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve»[226]

 Përgatitjen e këtij Kuvendi do ta bëjnë veprimtarët e Kryesisë së Këshillit Qendror të Kosovës: dr. Zymer Neziri, dr. Mujë Rugova, prof. Anton Çetta, dr. Muhamet Pirraku dhe dr. Zekeria Cana, duke pasur në gjirin e tyre dy veprimtarë nismëtarë të Aksionit për faljen e gjaqeve të 2 shkurtit 1990, Myrvete Dreshaj e Ethem Çeku, dhe bëmirësin Gani Ibërdemaj, kurse barrën për mirëvajtjen e Kuvendit do ta bartin punëtorët e Institutit Albanologjik të Prishtinës, tashti i drejtuar prej Sadri Fetiut.

Në Kuvendin e Tretë të Lëvizjes me ftesa të posaçme, të dorëzuara nëpërmjet korrierit, do të ftohen përfaqësuesit e të gjitha këshillave rajonale e komunale të pajtimit, një numër i konsiderueshëm i personave të virtytshëm, të cilët iu përgjigjën thirrjes së Lëvizjes pa ngurrim dhe u bënë shembull i mirë dhe inkurajues i faljeve të gjaqeve, të plagëve e të ngatërresave, përfaqësues të shoqatave e të partive politike dhe veprimtarë të shquar, që kishin kontribuar në Lëvizje. U ftua edhe Kori i maestro Rauf Dhomit nga Gjakova.[227]

Kuvendi duhej t’i zhvillonte punimet në disa rrafshe: të dëgjonte raportet për punën e Lëvizjes midis dy kuvendeve të fundit; të dëgjonte raportet e përfaqësuesve të këshillave të pajtimit për numrin e faljeve sipas kategorive: gjaqe, plagë dhe ngatërresa, por edhe për numrin e hasmërive të pafalura; të shqyrtonte dhe të miratonte paraprojektin e Librit: «Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991»; të emërtonte hartuesit dhe redaktorët për atë libër dhe të merrte vendim për kahet e zhvillimit të mëtutjeshëm të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve.[228]

Në Kuvendin e Tretë morën pjesë 220 personalitete të rëndësishme për Lëvizjen. Ai i filloi punimet pas dëgjimit të Himnit kombëtar shqiptar, të intonuar nga kori i Rauf Dhomit. Që Lëvizja të përmbyllej e të mbetej e shënuar si vepër e rinisë, e përkrahur fuqimisht nga etërit, hapja e Kuvendit  dhe raportimi për punën e Lëvizjes midis dy kuvendeve, iu la të rinjve, pikërisht nismëtarëve të Aksionit të 2 shkurtit 1990.[229] Kuvendi i zhvilloi punimet i kryesuar nga prof. Anton Çetta, akad. Mark Krasniqi, dr. Zekeria Cana, Myrvete Dreshaj dhe dr. Marjan Demaj. Atë e shpalli të hapur studentja Myrvete Dreshaj, kurse Raportin e punës së Lëvizjes midis dy kuvendeve (18 nëntor 1990-17 maj 1992) e mbajti veprimtari Musa Berisha, i cili, midis të tjerave, theksoi:

«Në kohën kur na vriste më shumë se kurrë armiku, kur sheshet e tribunave protestuese laheshin me gjak, populli u lidh për fjalën Besa-Besë se hakmarrje nuk do të ketë më. U fillua aksioni për pajtim, u mbështet nga populli dhe u falën gjaqet në emër të tij, në emër të Flamurit, në emër të rinisë, në emër të varreve që na i hapi armiku!»

Referuesi do të përfundojë: «Duke llogaritur se Lëvizja Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve e të Ngatërresave gjatë kohës sa ka vepruar e ka arsyetuar vetveten me rezultatet e pajtimeve dhe me ngritje të përgjithshme kombëtare, përmbyll veprimtarinë e vet me këtë Kuvend të Tretë dhe me Librin që do të dalë mbi Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve gjatë viteve 1990-1991».[230]

Në Kuvendin e Tretë do të diskutohet për shumë çështje të lidhura me pajtimin gjithëshqiptar. Doktor Ali Zatriqi, Kuvendin e përshëndeti në emër të «Shoqatës sanxhako-kosovare» dhe do të angazhohet për pengimin e vrasjeve ndërvëllazërore «për çështje politike e ideologjike në planin gjithëshqiptar, gjithëkombëtar».[231] Azem Shkreli, do të angazhohet për vazhdimin e Lëvizjes në formën ekzistuese, me motivim se «kur ishim të organizuar të gjithë, numri i vrasjeve të reja ishte shumë më i vogël, e sapo heshtëm pak, u bënë gjaqe të reja».[232]

Ndërkaq, dr. Muhamet Pirraku përvijoi rrugën e zhvillimit të Lëvizjes, duke konstatuar se: «Të gjitha lëvizjet e mëdha janë si stafeta: disa e nisin, të tjerët e vazhdojnë dhe të tjerët arrijnë në cak. Fitorja është e përbashkët. Në këtë Lëvizje, të cilën po e përmbyllim me këtë Kuvend, fituam të gjithë: nismëtarët e Aksionit, veprimtarët e Lëvizjes, ata që falën, fitoi populli(...).

Lëvizja vazhdon edhe sot, por e reduktuar, në njëfarë dore, vetëm në veprimtarinë e një grupi veprimtarësh të tubuar përreth prof. Anton Çettës. Dhe, sa e njohim hallin e popullit tonë, kjo Lëvizje duhet të vazhdojë, por tashti e institucionalizuar ndoshta si aktivitet i këshillave të pajtimit në kuadër të qeverive lokale. Kështu të veprohet derisa të pavarësohen gjyqet tona popullore»[233].

Dhe, derisa dr. Zekeria Cana do të angazhohet për vazhdimin e Lëvizjes si aktivitet humanitar dhe jo si «punë e partive politike», dr. Musa Limani ishte i prerë: «Lëvizja paqekrijuese e paqeruajtëse e pajtimit duhet të ketë «karakter human dhe politik», duke konstatuar se «Lëvizja për Faljen e Gjaqeve shpejtoi arritjen e 2 Korrikut e të 7 Shtatorit (1990)».[234] Kronistët që i ndoqën punimet e Kuvendit të Tretë të Lëvizjes do ta përfundojnë informatën me konstatimin: «Në vazhdim të debatit në këtë Kuvend, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Mujë Rugova, Sami Peja, Muhamet Pirraku, Myrvete Dreshaj e Bajram Kurti u angazhuan për mbylljen e punës së Lëvizjes Popullore për Pajtimin e Gjaqeve në formën e deritashme, por që pajtimi i gjaqeve të vazhdojë në format e mëhershme me anë të këshillave të pajtimit, pleqnarëve apo në forma të tjera, e kjo edhe u miratua në Kuvend».[235]

Të dhënat statistikore për faljet, që ofruan përfaqësuesit e këshillave të pajtimit, të plotësuara edhe me të dhëna të tjera janë dëshmia më e mirë për rëndësinë që luajti Lëvizja për Faljen e Gjaqeve në fushën e pajtimit e të homogjenizimit politik demokratik dhe të bashkimit kombëtar shqiptar. Këto rezultatet të Lëvizjes së Pajtimit më qartë se kudo mund të shihen nga statistika që pason:

Këshilli i pajtimit

  gjaqe

 Plagë

ngatërresa

gjithsej

Peja

49

27

11

87

Istogu

32

14

23

69

Deçani

47

13

15

75

Rugova

26

7

17

50

Klina

41

1

20

62

Gjakova

50

12

29

91

Rahoveci

36

10

44

90

Prizreni

79

114

275

468

Krakushta

12

9

31

52

Sufreka

32

13

79

124

Malisheva

41

11

55

112

Skënderaji

59

16

68

143

Gllogoci

47

14

9

70

Mitrovica

40

15

14

69

Vushtrria

57

8

10

75

FushëKosova

7

5

4

16

Obiliqi

9

4

10

23

Prishtina

30

5

15

50

Gallapi

17

5

10

32

Podjeva

114

52

60

226

Shtimja

13

9

23

45

Lypjani

38

23

64

125

Ferizaji

39

13

15

67

Kaçaniku

19

9

10

38

Vitia

50

16

20

86

Gjilani

61

34

40

135

Kamenica

36

18

39

93

Presheva

15

11

8

34

Bujanoci

11

5

10

26

Medvegja

3

1

2

6

Ohri

1

2

4

7

Struga

14

2

5

21

Kërçova

13

8

31

52

Tetova

28

22

20

70

Gostivari

11

1

22

34

Kumanova

7

3

11

21

Shkupi

3

1

7

11

Ulqini

1

0

4

5

Plava

2

3

2

7

Rozhaja

1

1

4

6

Anamali, Tuzi

4

0

0

4

EvropaSHBA

25

5

40

70

 

Rezulton se gjatë Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, 2 shkurt 1990 - 17 maj 1992, u falën: 1 230 gjaqe, 542 plagë dhe 1 180 ngatërresa. D.m.th., Lëvizja arriti 2 952 pajtime.

Kur dihet se Lëvizja në Kuvendin e Dytë, më 18 nëntor 1990, erdhi më 2 280 pajtime (1097 gjaqe, 375 plagë dhe 808 ngatërresa), rezulton se midis 18 nëntorit 1990 dhe 17 majit 1992 Lëvizja arriti 672 pajtime të reja (133 gjaqe, 167 plagë dhe 372 ngatërresa).[236]

Mirëpo, nëse kihet parasysh fakti se për arritjen e një faljeje në oda, këshillat e pajtimit shkuan mesatarisht tri herë, në grupe prej 20 vetave, veprimtarë të Lëvizjes dhe ndihmëtarë nga rrethi i familjes që i kishte për të falur, del se në një falje punuan 60 veta, kurse për arritjen e 2 952 faljeve – 177 120 veta. Këta janë kryekreje veprimtarë të Lëvizjes. Kur ky numër i bashkohet numrit të pjesëmarrësve Kuvendet e pajtimit, përkatësisht të Besëlidhjes shqiptare, del se në Lëvizjen Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjajqeve 1990-1992, morën pjesë së paku 1 715 380 veta. Themi «së paku» nga fakti se referuesit e rezultateve të këshillave të pajtimit në Kuvendin III të Lëvizjes tërhoqën vërejtjen se numri i faljeve të gjaqeve e të plagëve mund të jetë për ndonjë përqindje më shumë, kurse numri i ngatërresave të falura është më i madh përreth 20%, por shumë këshilla të pajtimit i kanë evidencuar vetëm faljet e ngatërresave buzë shkallëzimit në tragjedi. Ose edhe më qartë: vetëm Këshilli i Pajtimit i Prizrenit, i drejtuar prej prof. Bajram Kurtit shumë sakrifikues, ka shënuar saktësisht numrin e të gjitha faljeve.[237]

Kuvendin e Tretë të Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, së këndejmi edhe Lëvizjen, e përmbylli  kryetari i Këshillit Qendror të Pajtimit, prof. Anton Çetta: «Kjo Lëvizje zgjati mbi dy vjet dhe të gjithë ishim pjesëtarë të saj. Për punën e madhe që u bë falënderoj të gjithë ata që shtrinë dorën e pajtimit dhe ata që u angazhuan për shërimin e kësaj plage tonë të rëndë shekullore. Kur na falej gjaku, na dukej se po fluturonim, kurse kur nuk e arrinim qëllimin, e ndienim veten të mjeruar...» - përfundoi Flamurtari i Lëvizjes.[238]

Para përmbylljes madhështore të Kuvendit të Tretë, pra edhe të Lëvizjes, Kuvendi iu drejtua popullit shqiptar me këtë Apel:

«Popull liridashës!

Kuvendi III i Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, i mbajtur në Prishtinë më 17 maj 1992, fton shqiptarët në Atdhe dhe në oazat e mërgatës: të shtrihet dora e pajtimit dhe e faljes së gjaqeve e të hasmërive të tjera aty ku nuk u shtri pajtimi; të gjithë shqiptarët të përbuzin me urrejtje institucionin mesjetar të drejtësisë popullore patriarkale - hakmarrjen dhe gjakmarrjen.

Bashkatdhetarë!

Për detyrë të shenjtë të mbajmë zbatimin konsekuent të amanetit nga ata që falën gjaqe, plagë e ngatërresa për ardhmërinë e lirë e të bashkimit të popullit shqiptar. Fëmijëve tanë t’ua lëmë rrugët e shtruara me lule e dashuri vëllezërore, e jo të mbytura në gjakun e vëllezërve e të prindërve sipas porosisë së mesjetës, e për interesa të pushtuesve, të cilët gjithmonë zbatuan maksimën: ’Përçaj e sundo...!’

Qofshin faqebardhë, brez pas brezi, ata Burra e ato Burrëresha që falën gjakun e më të shtrenjtëve, për kauzën tonë kombëtare...!»[239]

Duke përfunduar, mund të konstatojmë se me përmbylljen e Lëvizjes paqekrijuese të 2 shkurtit 1990 - 17 majit 1992, u kurorëzua me suksese historike një ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë së integrimit të kombit shqiptar.

Në këtë Lëvizje kombi shqiptar, i ndarë me dhunë ndërkombëtare u përgatit për të hyrë në periudhën tjetër jetësore - për finalizimin e përpjekjeve shekullore për lirinë e Kosovës dhe të tokave shqiptare të aneksuara shteteve fqinje dhe për bashkimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë dhe historikë.

Për këto qëllime, në odat e pajtimit dhe në tubimet e pajtimit janë betuar, në Flamurin kombëtar dhe në gjakun e martirëve të kombit, mbi 1 715 380 veta; të rinj e të reja, nëna e baballarë, që do të thotë mbi 78% të banorëve të Kosovës, përkatësisht rreth 52 % të shqiptarëve nën zgjedhën koloniale të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.[240]

Gjaku i derdhur për liri dhe gjaku i falur për liri - është pengu i lirisë: Sanguis heroum semen libertatis!

Shënim(më 10 janar 2010): Ky shkrim është shkruar në vitet 1997/1998 dhe është botuar në gjuhën angleze (Rezyme) në librin: “Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjagjeve 1990-1992, Kronikë, Prishtinë, Prill 1989, fq. 472.

 

 

 



[1] Kjo pjesë është teksti i rezimesë anglisht i kronikes: dr. Muhamet Pirraku, Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990 - 1992, Prishtinë, 1998, në të cilën Lëvizja është pasqyruar nga dita në ditë.

[2] Shih për krahasim: Selatin Novosella, Kosova ‘64, Prishtinë, 1994; Kosova '68, Prishtinë, 1993; Kosova ’75, Prishtinë, 1995; Adil Pireva, Gjashtëdhjetëeteta shqiptare, Prishtinë, 1994; A. Gjata, B. Kurti, R. Bedo, B. Baliu- Gjaku i Lirisë 1981-1995, I, Prishtinë, 1996.