Bashkëjetesa e politikanëve në Prevallë!

 

 

VILAT E POLITIKANËVE

NË PARKUN KOMBETAR ”PREVALLA”!

 

 

                        Shkruan: Sheradin Berisha ( * )

 

Kauza e përbashkët e politikanëve

- paraja dhe jeta luksoze! -

                                        

     Në Kosovë partitë politike po zhvillojnë fushatë parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, ndonëse parafushata e tyre kishte nisur para disa javësh. Kemi parë se, lidershipi i partive „rivale“ politike PDK’ LDK’ AAK’AKR’LDD, gjatë fushatës në teren dhe debateve të shumta që po transmetohen në ekranet tona televizive, nuk kursejnë fjalë për të artikuluar sa më shumë premtime, por edhe akuza dhe kundërakuza të ndërsjella, përpara votuesve të tyre. Dhe, shikuar nga ky prizëm, duket se, „lufta“ për pushtet këto parti i bënë të ndryshëm, ndërsa në jetën e përditshme (largë ekraneve televizive) lidershipi i tyre, ka një bashkëpunim të shumëanshëm përmes firmave të shumëta legale (të regjistruara në emër të vëllezërve, fëmijëve apo të afërmve të tyre) që përfitojnë tendere për ndërtim të rrugëve, shkollave, shesheve, qendrave sportive, ndërtesave shumëkatëshe etj., duke shfrytëzuar paratë e taksapaguesve, si dhe bëjnë biznese të shumta jolegale përmes reketimit, kontrabandës me cigare, me derivate të naftës etj., me vendet fqinje, dhe nga këto aktivitete kriminale kanë bërë pasuri përrallore.

     Në këtë kuadër, ky soj politikanësh pas luftës, duke shfrytëzuar pushtetin kanë ndërtuar shume hotele e lokale për punë biznesi, shtëpi moderne e vila superluskoze në shumë vende të Kosovës. Po t’i vizitoni lagjet e Prishtinës: Veternikun, Taslixhen, Arbërinë, Dardaninë, etj., pastaj Liqenin e Badofcit, Malet në grykën e Rugovës, Malet e Sharrit: Brezovicën, Parkun Kombëtar në Prevallë etj, etj., do të shihni se sa mirë e rahatshëm bashkëjetojnë këta politikanë, ndërkohë që shumica e popullatës janë të papunë dhe jetojnë në varfëri të skajshme!

     Këtë fakt e ka bërë të njohur para disa ditësh edhe gazeta sllovene „Dello“, e cila duke sipërfaqësuar, problemet e përditshme në Kosovë, ndër të tjera shkruante se “shumica e politikanëve u hodhën nga opingat dhe balta e fshatit, në kolltuqe dhe në mercedesë”, ndërkohë që Kosova radhitet ndër shtetet më të varfëra në Evropë, duke theksuar se “më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë është e papunë”. Me këtë rast mu kujtua edhe një thënie e Faik Konicës, i cili duke e parë Shqipërinë të katandisur në varfëri e mjerim nga regjimi i Ahmet Zogut, para parlamentarëve të këtij oborri institucional kishte thënë:”Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa po ikni me pasuri përrallore”, dhe këtë gjë duket se po e bëjnë edhe oborri i politikanëve të sotëm!

 

Kauza e përbashkët e politikanëve në Prevallë!

 

     Politikanët e Kosovës, (ata që ishin deri dje në pushtet dhe këta që ishin në opozitë), përkundër „grindjeve, akuzave, sharjeve e fyerjeve…“ në Kuvendin e Kosovës dhe në paraqitjet tjera publike, prej kohësh i ka bashkuar një kauzë e madhe në PARKUN KOMBËTAR TË PREVALLËS siç është:

 

- NDËRTIMI I VILAVE SUPER’LUKSOZE! -

 

     Dihet mirëfilli se, në çdo vend të botës PARQET KOMBËTARE mbrohen me ligj, dhe me ligj lejohet ndërtimi i objekteve të ndryshme vetëm me karakter kombëtar dhe që janë në shërbim të të gjithëve, e jo ndërtimi i objekte private, të një grupi të caktuar të shoqërisë! Vilat që po ndërtohen në Parkun Kombëtar të Prevallës janë rreptësisht të ndaluara me: Ligjin për Parkun Nacional “Malet e Sharrit”, Ligjin për planifikim hapësinor, Ligjin për mbrojtjen e natyrës etj., pikërisht me këto ligje të cilat i ka miratuar vetë kjo klasë e papërgjegjshme politike në Kuvendin e Kosovës!

      Idenë dhe vendimin për legalizimin e Prevallës si një nga vendet më të bukura në malet e Sharrit (për ndërtimin e vilave private), e ka dhënë Eqrem Kryeziu, qysh kur ishte Kryetar i Komunës së Prizrenit, ndërkohë që edhe qeveria aktuale komunale në krye me Ramadan Mujën është pajtuar me një vendim të tillë!

     Ish’kryetari i komunës së Prizrenit Eqrem Kryeziu me kohë, (pasi kishte legalizuar ndërtimet e paligjshme), ka përzgjedhur vendin më të mirë dhe më të dukshëm (në qendër të Parkut Kombëtar) për ndërtimin e vilës superluksoze. Në këtë ambient të bukur, në lagjen e vilës së EQËS po ndërtojnë vila Fatmir Sejdiu - LDK dhe nënkryetari i parë i LDK’së Sabri Hamiti.

     Në një lagje tjetër, (jo shumë largë trinomit Kryeziu - Sejdiu - Hamiti), po ndërtohen vilat e politikanëve tjerë, si të: Hashim Thaçit - PDK, Jakup Krasniqit - PDK, Nait Hasanit - PDK, Ardian Gjinit - AAK, Naim Malokut - AAK, Enver Hoxhajt - PDK… dhe kjo listë e politikanëve nuk përfundon këtu, ka edhe shumë politikanë tjerë të këtij rangu, zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe plotë biznesmenë të afërt me këtë klasë politike!

     Derisa këta politikanë të padinjitetshëm, ndrëtojnë vila për vete, në Krushe të Madhe edhe pas 11 vjetësh nga përfundimi i luftës, shtëpia e Sokratit Shqiptar - Ukshin Hoti, mbetet gërmadhë, ashtu siç e kishin djegur e shkrumuar forcat barbare serbe të Millosheviçit! Kjo s’do koment! (Shikoni fotot në fund të Albumit)

     Atëkohë, ende pa filluar ndërtimi i Vilave të “elitës” politike, “Instituti për Mbrojtjen e Natyrës” ka reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prizrenit dhe vetë Ministrisë së Ambientit (kur Ardian Gjini ishte ministër), që ka lejuar ndërtimin e objekteve private në Parkun Kombëtar. Por, askush nuk është trazuar nga ky reagim, përkundrazi ndërtimi i vilave po lulëzon gjithandej Parkut Kombëtar, dhe kështu po degradohet „mizorisht“ ky vend i mrekullueshëm natyror, madje duke u shkelur skajshëmrisht edhe të gjitha normat e shkruara dhe të pashkruara - për ruajtjen e ambinetit.

 

     Më shumë se fjalët flasin vetë fotot e Vilave që po i ndërtojnë politikanët e Kosovës në PARKUN KOMBËTAR TË PREVALLËS!

 

* ) Autori është Moderator i www.pashtriku.org, 04. 12. 2010

 

Shikoni Foto’albumin:

 

 

 

 

 

Lagjja e trinomit: Kryeziu-Sejdiu-Hamiti!

Super’Vila e Eqrem Kryeziut dhe vilat e Fatmir Sejdiut&Sabri Hamitit

 

 

Vilat e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Nait Hasanit …

 

 

Vila e Ardian Gjinit!

 

 

Vilat e politkanëve, biznesmenëve etj!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 -----------------------------------

Derisa këta politikanë të padinjitetshëm, ndrëtojnë vila për vete, në Krushe

të Madhe edhe pas 11 vjetësh nga përfundimi i luftës, shtëpia e Sokratit Shqiptar - Ukshin Hoti, mbetet gërmadhë, ashtu siç e kishin djegur e shkrumuar forcat barbare serbe të Millosheviçit!

Kjo s’do koment!

 

KTHEHU NE FILLIM

 

....

 

powered by Beepworld