Kryepleqtë e Komunës së Prizrenit!

 

 

KOMUNARËT E PRIZRENIT

I PRET BURGU!

 

     Tashmë opinioni publik e dinë mirëfilli se, krerët e Komunës së Prizrenit të cilët janë edhe drejtues të Degës së Partisë Demokratike në Prizren, Ramadan Muja, Njazi Kryeziu, Sadik Paçarizi etj., janë duke u hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prizren dhe Prokuroria e EULEX’it, për keqmenaxhimin e buxhetit të Komunës, si dhe për shpërdorimin e pozitës zyrtare, duke kontraktuar (në kundërshtim me ligjin), pronat komunale me bizneset private, pa shpallur tenderë dhe pa ndonjë kompenzim për interesin e Komunës etj! Aktvendimi për fillimin e hetimit kundër tyre është lëshuar më 15 shtator 2011 dhe i është dërguar Gjykatës së Qarkut në Prizren. Këto vepra, sipas nenit 339 paragrafi 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës janë të dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet!

 

 

 

 

Shkruan: Sheradin Berisha

 

 

     Në fillim të korrikut 2011, Prokuroria e Qarkut në Prizren ka konfirmuar lajmin se, Drejtoria e Policisë kundër Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike ka nisur të hetojë shpenzimet buxhetore të vitit 2010 në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit se komunarët e Prizrenit në krye me Ramadan Mujën dhe Njazi Kryeziun kanë keqpërdorur paratë e qytetarëve për dreka, darka etj. Ndërkohë, gjatë procesit të hetimeve prokuroria ka njoftuar opinionin publik se Kryetari i Komunës së Prizrenit - Ramadan Muja, Kryesuesi i Kuvendit Komunal - Nijazi Kryeziu, Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor - Sadik Paçarizi dhe disa zyrtarë tjerë të komunës janë duke u hetuar edhe për dyshimet e bazuara (me disa dëshmi) se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke tjetërsuar në mënyrë të paligjshme pronën publike etj. Prokuroria, pasi ka pranuar raportin zyrtar nga Policia, më datë 15 shtator 2011 ka zgjeruar gamën e hetimeve ndaj Kryetarit të Komunës - Ramadan Muja, Kryesuesit të Kuvendit Komunal - Njazi Kryeziu, Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor - Sadik Paçarizi, ish’U.D i drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës - Avni Ademaj, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar edhe tek dy anëtarë të Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit, Kadri Ukimeri dhe Abdullah Tejeci.

 

Kryeplaku i Komunës së Prizrenit - Ramadan Muja.

 

Kryekuvendari i Komunës së Prizrenit - Njazi Kryeziu.

 

Shtëpia e Bardhë e Kryepleqëve të Prizrenit!

 

*   *   *

     Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e hetimeve dhe mundësinë e ndërhyrjes në këtë proces nga politika, gjegjësisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe segmentet e pushtetit siç është Qeveria, në tetor 2011, Prokurori i EULEX’it ka marrë përsipër këtë rast që po hetohej nga Prokuroria e Qarkut të Prizrenit. Pas shqyrtimit të kësaj lënde penale, më 23. 11. 2011 Prokurori i EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk, i ka bërë një kërkesë Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it, për caktimin e një Gjyqtari të EULEX’it për procedurë penale (PP.nr. 147/2011) kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit: Ramadan Muja, Njazi Kryeziu, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri dhe Abdullah Tejeci.

     Në vijim sjellë kërkesën prej pesë faqesh të Prokurorit të EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk, drejtuar Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, për caktimin e Gjyqtarit të EULEX-it për të finalizuar këtë procedurë penale.

 

 

OFFICE OFF EULEX PROSECUTORS IN PRIZREN

PROKURORIA E EULEX - it PRIZREN

 

PP.nr. 147/2011

Prizren, 23. 11. 2011

 

Prej: Cezary Michalezuk - Prokurori i EULEX-it

Për: Kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it

Lënda: Kërkesë për caktimin e Gjyqtarit të EULEX-it për procedurë penale

___________________________________________________________________________

 

Unë, Prokurori i EULEX-it, i nënshkruar më poshtë, sipas nenit 3.5 (b) në lidhje me nenin 3.3 (p) të Ligjit nr. 03/L-053 kompetencat për zgjedhjen dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, paraqes këtë:

 

KËRKESË PËR CAKTIMIN E GJYQTARIT

TË EULEX-IT PËR PROCEDURË PENALE

 

PRETENDIMET:

 

Prokurori i EULEX-it pranë kësaj zyre është duke kryer hetime penale ndaj individëve në vijim:

 

1. Ramadan Muja, emri i babait Rizan, i lindur më 08. 02. 1939, në fshatin Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Kolonel Ahmet Krasniqi” nr.18, Kryetar i Komunës së Prizrenit;

 

2. Njazi Kryeziu, emri i babait Ibrahim, i lindur më 18. 08. 1977, në Prizren, të nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, rr. “Bajram Curri” nr.57, Kryetar i Asamblesë Komunale të Prizrenit;

 

3. Sadik Paçarizi, emri i babait Istref, i lindur më 20. 04. 1965, në fshatin Dragobil, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Prizren, rr.”11 Marsi”, 2B=7, Drejtor i Komunës së Prizrenit;

 

4. Avni Ademaj, emri i babait Ramadan, i lindur më 16. 07. 1961, në Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Zhur, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;

 

5. Kadri Ukimeri, emri i babait Osman, i lindur më 25. 05. 1945, në fshatin Korishë, të nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Korishë, anëtar - Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;

 

6. Abdullah Tejeci, emri i babait Bilall, i lindur më 23. 10. 1961, në fshatin Gorozhup, mashkull, i nacionalitetit Shqiptar - Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Enver Buqaj” nr.52, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;

 

Dëshmitë të cilat janë grumbulluar gjatë hetimeve dëshmojnë se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e lartëpërmendur kanë kryer vepra penale Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit, të dënueshme sipas Nenit 339, paragrafi 3 lidhur me pargrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës (KPK-së).

 

( … )

 

 

*   *   *

     Duke u bazuar në dëshmitë e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të cilat i ka verifikuar edhe prokurori i EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk - në aktvendimin e procedurës penale PP-nr. 147/2011 datë 23. 11. 2011, rezulton se Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Njazi Kryeziu, Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor - Sadik Paçarizi dhe të tjerët dyshohen, për tejkalimin e kompetencave zyrtare dhe shpërdorim të detyrës së tyre zyrtare sipas nenit 339 të Kodit Penal të Kosovës.

     Konkretisht, më 11. 02. 2011 në Prizren,  Ramadan Muja, Njazi Kryeziu, Sadik Paçarizi dhe Avni Ademaj, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm Komunës së Prizrenit dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale në vlerë mbi 5000 Euro për Qendrën Edukuese „Gulistan“ - kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre… Ramadan Muja ka lidhur kontratë nr. 682/87, në bazë të së cilës ka vendosur ndarjen dhe përdorimin e parcelës së tokës komunale (ngastra kadastrale nr. 800/2 numri i fletës poseduese 566 ZK Korishë, sipërfaqe 50 300 metër katrorë) Qendrës Edukuese „Gulistan“…“. Pra bëhet fjalë për nënshkrimin e kontratës nga Kryetari i Komunës Ramadan Muja me Kryetarin e Bordit të Qendrës Edukative Arsimore "Gulistan" Turgay Sen, për shfrytëzimin e pronës së komunës në ekonominë pyjore „Sharri“ në vendin e quajtur Boka - Boka, afër fshatit Korishë, për një periudhë kohore prej 40 vjetësh!

     Kjo kontratë ishte nënshkruar pa dijen e Asamblesë së Kuvendit Komunal, sepse ky legjislativ i Prizrenit kishte vendosur që QEA „Gulistan“ t’i jepet në shfrytëzim sipas ligjit një ngastër, në zonën kadastrale në fshatin Nashec e jo te „Boka - Boka“ në Korishë. Në këtë lojë të pistë (në ndërrimin e lokacionit nga fshati Nashec në atë te vendi Boka-Boka) përveç kryeplakut të Komunës Ramadan Muja është përfshirë edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal - Njazi Kryeziu!

     Me këtë kontratë duket se është shkelur Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës, përkatësisht është shkelur neni 5, paragrafi 3 i këtij ligji, i cili parasheh edhe plotësimin e kritereve të përcaktuara me Ligjin për prokurimin publik dhe dhënien e pëlqimit nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave dhe të pëlqimit paraprak nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Ndërkaq në këtë kontratë ka edhe shumë lëshime tjera, aty nuk është theksuar fare qiraja, pastaj kjo tokë është dhënë pa ndonjë kompenzim në interes të komunës dhe qytetarëve të saj dhe për më tepër nuk është hapur asnjë tenderë i rregullt, që kërkon ligji për këtë lokacion!

 

*   *   *

     Prokuroria gjatë hetimeve ka konstatuar se Komuna e Prizrenit ia ka dhënë në mënyrë të jashtëligjshme pronën kompanisë turke “Kamila”. Sipas dëshmive të deponuara në prokurori, kontrata ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe kompanisë “Kamila” për ndërtimin e fabrikës së çokollatës e nënshkruar më 15 prill 2011, nuk bazohet në asnjë vendim të Kuvendit Komunal për shpalljen e interesit publik në rastin e dhënies së pronës së paluajtshme. Po ashtu kontrata e lidhur me këtë kompani nuk specifikon benifitet për Komunën e Prizrenit!

     Në aktvendimin e procedurës penale PP-nr. 147/2011 datë 23. 11. 2011, të shkruar nga Prokurori i EULEX’it Cezary Michalezuk, për Kryetarin e Asmblesë së Gjyqtarëve të EULKEX’it, si kërkesë për caktimin e Gjyqëtarit të EULEX’it për procedurë paraprake lidhur me Kryetarin e Komunës Ramadan Muja, Kryesuesin e Kuvendit Njazi Kryeziu, Drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizi, dhe të tjerët, thuhet se këta zyrtarë të komunës: „kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke lidhur një kontratë nr. 04 - 353 në bazë të së cilës kanë vendosur për dhënie në shfrytëzim të parcelës së tokës komunale (ngastër kadastrale nr. 688/2 që gjendet në vendin e quajtur „Dubrakovo“, fleta poseduese nr. 257 ZN Lutogllavë, në sipërfaqe perj 20 000 metrash katrorë) Fabrikës së çokollatës „Kamila“, duke shkelur Ligjin mbi prokurimin publik të Republikës së Kosovës (Ligji nr. 03/L - 241) dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës (Ligji nr. 03/L - 226). Këto vepra janë parashikuar në nenin 339 paragrafi 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë të dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.“

 

*   *   *

     Në prokurori është deponuar edhe një dëshmi tjetër që ka të bëjë me keqpërdorimin e disa lokaleve afariste në vendin e quajtur „Buzagillëk“, të cilat janë pronë e Komunës (me vendim të Gjykatës Supreme - datë 25 maj 2006) dhe qiraja e këtyre lokaleve në vend se të shkojë në Buxhetin e Komunës, atë e shfrytëzojnë individ të caktuar, dhe njëri prejt tyre është zyrtar i lartë komunal.

     Në prokurori ëshët deponuar edhe një dëshmi kundër Kryetarit të Komunës Ramadan Muja, që ka të bëjë me shkëmbimin e paluajtshmërisë së KK’së me pronën e qytetarit Hasan Kabashi, në të cilën kontratë po ashtu Prokuroria ka evidentuar lëshime dhe i cili gjithashtu është dashur të nënshkruhej nga avokati publik i Komunës dhe jo nga kryetari Ramadan Muja.

     Në aktvendimin e procedurës penale PP-nr. 147/2011 datë 23. 11. 2011, të Prokurorit të EULEX’it Cezary Michalezuk, për këtë pikë të akuzës shkruan:

     „Më 21 janar 2009, në Prizren, Ramadan Muja, duke vepruar në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër (pronarit të ngastrës kadastrale nr. 7141 në „Ortakoll“ të sipërfaqes totale 8795 metër katrorë, fletë poseduese nr. 8414 ZK - Zona kadastrale Prizren) përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore që tejkalon shumën prej 5000 EUR për Komunën e Prizrenit -  ka shëprdorur pozitën zyrtare dhe tejkaluar kompetencat e tij se më datën e lartëpërmendur ka lidhur kontratë në bazë të së cilës ka transferuar pronësinë e pjesës së ngastrës kadastrale nr. 7141 (në sipërfaqe prej 2307 metër katrorë) si kompensim për shpronësimin e tokës së individit tjetër, Hasan KABASHI (ngastër kadastrale nr. 6979/2 në vendin e quajtur „Atmejdan“ të sipërfaqes totale prej 1946 metër katrorë, (fletë poseduese nr. 10686 ZK Prizren).  Kjo vepër është parashikuar në nenin 339 paragraf 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë të dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.“

 

*   *   *

     Duke u bazuar në këto dëshmi, të cilat faktojnë gjithanshëm shpërdorimin e pozitës zyrtare për tjetërsimin e pronës publike - komunale në mënyrë të paligjshme, për përfitime personale e grupore, nuk është vështirë për të përfunduar se Plakun e Komunës së Prizrenit Ramadan Muja bashkë me komunarët tjerë i pret burgu!

 

 

© Pashtriku.org, Dhjetor'2011

 

 

powered by Beepworld