Demaçi - metaforë lirie

 

 

ADEM DEMAÇI,

LIDER I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

 

 

Shkruan: Prof.Dr.Hakif Bajrami

 

Epoka e Adem Demaçit

 

     Adem Demaçi është njëri ndër liderët më të mëdhenj shqiptarë në këtë shekull. Lindi në një familje të varfër në Prishtinë më 1938, atëherë kur në fshehtësi diplomacia jugollave po i bënte bisedimet e fundit me Qeverinë turke, për të i përzërë të gjithë shqiptarët në Anadoll. Si rezultat i atyre bisedimeve në Beograd dhe Stamboll do të përpilohej dhe aprovohej Konventa jugosllavo - turke, përmes së cilës shqiptarët e trojeve etnike, që ishin rirobëruar më 1912, planifikoheshin që nëpër etapa vjetore të spastroheshin tërësisht deri më 1944. Këtë politikë antishqiptare, Adem Demaçi do ta hetojë se po riaktualizohet më 1953, prandaj me kohë doli për ta luftuar në mënyrën e vet politike, deri sa i dha fund shkatërrimit të Jugosllavisë në Kosovë, më 10 qershor të vitit 1999. Kosova me këtë datë triumfale, po i kthehej idealit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për Programin e së cilës Adem Demaçi bëri 28 vjet burg të rëndë. Ishte një luftë tejet e vështirë por e programuar drejtë, koha e së cilës do të njihet në histori si: Epoka e Demaçit.

      Adem Demaçi në vitet pesëdhjetë të shekullit njëzetë do të paraqitet si meteor në skenën politike shqiptare, për ta shpëtuar një popull nga shfarosja totale, sikur synonte okupatori serb (1945-1966). Së këndejmi, të shkruash për Adem Demaçin nuk është vetëm nderë, por edhe krenari shkencore, civilizuese dhe akt i lartë kulturor. Jo vetëm nga shkaku se ky patriot është prijës ideor dhe programatik, i çdo lëvizje politike, por është njëherit njeriu ma i vuajtur dhe më i sakrifikuari për të drejta të kombit të vet dhe të njeriut në Evropë. Adem Demaçi sipas njohurive që i kemi do ta fillojë veprimtarinë politike kombëtare derisa ishte në bankat e shkollës së mesme, më 1954. Shtrohet menjëherë pyetja, cilat ishin ato fusha për të cilat Adem Demaçi do ta ngritë zërin e ndërgjegjes aq herët, aq me dinjitet, aq me krenari të pathyer, kur dihet se ishte shumë i ri me moshë. Këtë pyetje e shtrojnë problemet kryesore të historisë shqiptare nëpër të cilat kaloi, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX. Prandaj, të përgjigjesh në këtë pyetje do të thotë ta njohësh kapakun e historisë së Ballkanit në përgjithësi, ta njohësh Adem Demaçin e ilegales, e qëndrimit para hetuesve dhe gjyqit dinjitoz dhe krenar, i gatshëm që të shkoj edhe në vdekje, si me le për Kosovën, për Shqipërinë etnike. E vërteta, Adem Demaçi nuk është historia e Ballkanit, por është metafora e të gjitha psimeve të tij, është kryqëzata më fitimtare dhe më dinjitoze e luftës dhe sakrificës, është simboli më sublim i daljes së historisë shqiptare nga inferioriteti, është zëri i ndërgjegjes së një populli, është amaneti i Bajram Currit në vazhdim, është mësues i gjeneratës së Fehmi Lladrovcit: Nuk ka nderë ma i madh për mua se me vdekë për Kosovë«. Kjo shkollë jo që është shembull, por mbetet edhe obligim për gjeneratat e sotit dhe ato që do të vijnë se si duhet flijuar çdo gjë për liri dhe barazi.

Adem Demaçi , ulur përpara këmbëve të mësueses Vezire Gllavica

 

     Nëse Balzaku e ka vënë letërsinë franceze në ballë të Evropës për kah atavizmi realist, nëse Hegeli e ka vënë filozofinë gjermane në ballë të shkencës botërore për kah spektri analitik, nëse Ernest Hemingvei e ka bërë literaturën amerikane kulturë që dëgjon, mendon dhe studion, nëse Omar Khajami me Rubairat e tij e ka bërë Orientin përmendore të diturisë së urtë, e ka bërë Magreb dhe anasjelltas, nëse Aristoteli e ka bërë filozofinë Antike kulturë të të menduarit, nëse Ajnshtajni ka siguruar se relativiteti është i kontrolluar, atëherë, Adem Demaçi ka bërë me burgun e tij, me sakrificën dhe qëndresën e tij politike, me diplomacinë e tij të përkrahur në përmasa ndërkombëtare, me luftën e tij kundër urrejtjes, të luftoi me letra të mëdha (1955 - 1999 si e njoh), që historia dhe ardhmëria shqiptare mos të mbeten të kontrolluara, të stepura dhe të nëpërkëmbura, duke e bërë me sakrificën e tij një popull të ndërgjegjshëm, që të dalë me program afatgjatë në skenën historike, për ta merituar lirinë, për ta merituar jetën dinjitoze, për ta patur populli i tij ushtrinë dhe politikën, të drejtuar dhe të komanduar në funksion të lirisë, për ta patur diplomacinë të tëholluar sikur të i kishte njëqindë ambasada, duke menduar diplomatët më në zë, jo publikisht (pse nuk e di !!!) se „Demaçi, është i përkryer dhe spiritual, duke mos bërë as më të voglin turr në kolltuk dhe pozitë“, fakte këto të pamohuara që e kanë bërë këtë liridashës shembull shkollor, për çdo ekzamplar të lirisë dhe politikës kombëtare dhe ndërkombëtare.

     Politika grabitçare serbe e udhëhequr përkah egërsia permanente me shekuj kundër kombit shqiptar, po thuaj se nuk ka lënë guri pa lëvizë me të vetmin qëllim për t’i shfarosë shqiptarët me një anë, ndërsa po thuaj se nuk ka shembull të tillë në kontinentin e vjetër, pra në Evropë, si inteligjencia dhe institucionet shkencore dhe ushtarake serbe t’i kenë bërë 24 programe për ta shfarosur fqiun e vet të parë sikur kanë bërë regjimet e Beogradit ndaj shqiptarëve, sidomos nga viti 1878 e këndej. Këtë ralitet, Adem Demaçi jo vetëm që e hetoi që në rininë e herëshme, por ky patriot politikën grabiqare serbe do ta njohë duke e përjetuar si tragjedi personale, sepse ajo politikë gjenocidale bërhej mbi kurrizin e popullit të tij, që aq ahumë e donte, fakt që dëshmon sakrifica e bërë nëpër burgje prej një kohe 28 vjeçare. Por pse krimi dhe gjenocidi serb kishte marrë përmasa vetvrasëse do të dëshmohet aty kah viti 1992 me luftën sllavët kundër sllavëve, kur çdo konturë e Jugosllavisë integrale dhe e Serbisë homegjene ishte djegë dhe vetshkatrruar. Shtrohet pyetja, kur vet sllavët nuk mund të ndërtojnë shtet të përbashkët, si do të detyrohen shqiptarët kur nuk kanë asgjë të përbashkët me sllavët. Pse serbët dhe malazezët nuk mund të bashkëjetojnë, pse shqiptarët të detyrohen në një pikësynim të „reintegrimit“, kur kosovarët me luftë çlirimtare kanë dalë nga Jugosllavia. Kjo pyetje, me argumentet e dëftuara e bëjnë luftën e Adem Demaçit që nga viti 1954 VIZIONARE, për ndarjen e Kosovës përgjithmonë nga Jugosllavia.

     Lidhur me këtë, ai që është urrejtur, poshtruar dhe përsekutuar afër tridhjetë vjet në burgjet serbe, dhe prapë të gjesh guxim, virtyt, krenari dhe zemër për t’iu drejtuar popullit të pushtetit dhunues me këshilla, si u dëgjuan botërisht ato në TV B.92 më 1993, të gjinden fjalë dhe qëndrime prej atij që do të mbetet i gozhduar në të gjitha kazamatet jugosllave, duke përdorë çdo mjet të luftës qytetare në fillim vetëm në formë të mospajtimit, por gjithmonë duke i mbetur besnik parimit të luftës, se liria do të fitohet me rrugë paqësore, ishte vetëm Adem Demaçi. Në këtë rrugë të programuar Adem Demaçi, do të qëndrojë stoikisht afro gjysmë shekulli, kur aty kah vitet 1995/96 do të orjentohet për realizimin e qëllimit të tij me mjete jopaqësore, pra me luftë të aramatosur për ta bërë Kosovën të lirë. Këtë konstatim e gjejmë si vizion në Programin e Adem Demaçit më 1964. Po, Adem Demaçi në luftën e herëshme politike nuk i njihte të gjitha programet serbe kundër kombit shqiptar, emër për emër. Por, në bazë të tërë atij aktiviteti që ka zhvilluar me akribi, del se me kohë i kishte përthekuar të gjitha këndet metodologjike, strategjike, taktike dhe dokrtinare se si duhet të luftohet kundër atyre programeve, kundër atyre intrigave, kundër atyre skenareve, të cilat jo vetëm që i kishte mësuar në teori, por po i perjetonte ai dhe populli i tij në praktikë, në Kosovën e tij martire, të cilën e mbajti për ideal, për ta çliruar.

Adem Demaçi

 

     Luftën kundër robërisë - Adem Demaçi, do ta fillojë si fëmij, aty diku kah viti 1949 në formë të ëndrrës për liri, të mosdurimit të robërisë, por jo të një urrejtjeje horizontale ndaj serbëve. Nuk e kam dëgjuar Demaçin, se do të ketë treguar ndokund, edhe pse që nga fëminia kishte mësuar për masakrat serbe mbi shqiptarët, që do të ftonte ndokend në urrejtje. Gjithëmonë ky patriot do të shprehet se - lufta jonë është e drejtë. Adem Demaçi do të ketë dëgjuar për errfinë serbe mbi shqiptarët më 1878. Ky rrëfim, për errfinë në fillim, për Adem Demaçin ishte diçka abstrakte si kuptim, por narracioni për erfinë ishte përjetim për një egërsi barbare serbe, sepse serbët kurrë nuk i ndalën masakrat mbi shqiptarët, me qëllim që tokat shqiptare t’i kolonizojnë. Ato masakra do t’i përsëritin më 1912 - 1915 dhe më 1918 - 1941, për t’i vazhduar krimet në formën e gjenocidit nga viti 1945 e deri më 10 qershor 1999 në forma të ndryshme, gjithnjë me qëllim që populli shqiptar të asgjasohet.

     Nga vitet 1949 e deri më 1958 Adem Demaçi do të kalitet në opozitarin më të denjë të shqiptarit që po vuante nën robërinë serbe. Në fillim nuk do të kuptohet drejtë këmbëngultësia e tij. Prej këtij njeriu të rëndomt jo, por prej këtij karakteri të patundur që në start, me policinë sllave, çarqet e pushtetit që kishin sado pok njohuri lidhur me autoritarizmin serb, që kishin sado pak njohuri lidhur me „idealin mbi shtetin serb“,e kishin nuhatur me kujdes se ku mund të dali një karakter si Demaçi me luftën e tij. Ai nuk do të kërkoi vetëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Po në atë gjykatore hapur do të kërkoi edhe bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Po atë ditë kur Adem Demaçi (1959) do të denohet me PESË vjet burg të rëndë, po atë ditë ambasadori i Jugosllavisë në Athinë e njohtonte qeverinë greke. Miqtë e vjetër po i frigoheshin kryekundërshtarit të ri politik. Jo vetëm kaq, qëndrimi i Adem Demaçit para hetuesëve (prokurorit) se në gjykatore do të qëndroi i përmbajtur nuk ishte një taktikë e thjeshtë. Kishte vepruar Demaçi ashtu sepse po të paraqitej „kokëfortë“ në hetime, në rastin e gjykimit nuk do të kishte publik fare. Por, posa e kishte vërejtur se salla e gjyqit ishte plotë popull, Demaçi kishte pohuar në heshtje: tash janë minutat e mia për ta shprehë tërë realitetin që po mbretëronte në Kosovë: për krimet, për proceset e montuara, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, për flamurin, për... për pashmangshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Këtë qëndrim të Demaçit, serbët do t’ia mbajnë në mend dhe do ta ndjekin për vdekje deri atëherë kur do të fillojë për të „dhënë shpirt Jugosllavia e tyre“ më 1990.

     Pushtetin që po e luftonte Adem Demaçi, me të gjitha mjetet po përkrahej prej blloqeve ushtarake (1949-1989), sepse Jugosllavia atyre forcave kundërshtare iu nevojitej si një nyje strategjike prej kah i testonin lirëshëm pozicionet e tyre doktrinaro - strategjike. Me kët ilustrim dëshiroi të theksoi se të dy blolloqeve ushtarake (Pakti i Varshavës dhe Pakti NATO), Jugosllavia u nevoitej si një oazë „lumturie“. Në këtë nye ku „amortizohej“ Lufta e Ftoftë, pra në ish’Jugoallavi, deri në shkallën më ekstreme pushtetit i lejohej eksperimenti me shoqërinë, përmes ndryshimeve të shpeshta kushtetutare. Me ndryshimet kushtetutare, që po bëheshin në ish’Jugosllavi, personaliteti prej patrioti dhe dijetari, siç ishte Adem Demaçi, do ta ketë hetuar, se ato ndryshime popullit të tij nuk i sillnin asnjë të mirë, asnjë fije lumturie, asnjë garancion se do të mbijetojnë të paktën si popull, edhe pse kushtetutat shpalleshin me një pompozitet megaloman.

     Nuk i bënte përshtypje Demaçit pse Kosova kishte fituar bije fjala Kushtetutë (1974). Adem Demaçi në intuitën politike, në vëmendjen shpirtërore, në intelegjencinë e tij mbinormale, aftësitë e tij për t’i kuptuar dhe seleksionuar drejtëpeshimet e interesave shoqërore-gjeostrategjike, të gjitha këto ia kishte nënshtruar peshës së grabitjes nga të huajt sidomos: çështjen e Toplicës, Plavës, Gusisë, Ulqinit, Kosovës, Çamërisë. Nga ky përceptim konceptual dhe thelbsor lind edhe kundërthënja e Adem Demaçit ndaj tërë atij sistemi vetqeverisës (që nuk kishte lidhje me vetqëverisjen), tërë asaj zhurme në shkallë aq të vrullshëm dhe aq të shkolluar, por mjerisht edhe të pranuar në disa qarqe botërore. Me këtë mbarështrim dua të theksoi edhe një të vërtetë se sa i vetmuar me një anë, dhe sa i fuqishëm në anën tjetër, është njeriu që lufton për liri, sa i pamposhtur ështe zëri, dhe se sa konsekuent deri në shkallë promotore është vepra e Adem Demaçit, për liri.

     Nuk ishte e panjohur si në perëndim ashtu edhe në lindje padrejtësia që i ishte bërë kombit shqiptar nëpër kongrese dhe nëpër konferenca që pasonin pas luftave të mëdha lokale, sidomos pas dy luftave botërore. Pse ishte vepruar ashtu në dëm të shqiptarëve, dhe si duhej kundërvënë asaj politike Adem Demaçi, do ta konceptojë një doktrinë të re dialektike, do ta përpilojë një strategji të mirëfilltë kombëtare, për ta përballuar dhunën, për ta ruajtur substancën kombëtare, për ta ruajtur çdo pllambë të truallit arbëror. Ajo doktrinë me të cilën duhej kundërvënë tërë atij arsenali programesh, të cilat pas vitit 1945, nuk quheshin ma „programe serbe“, por e kishin marrë një sintagmë atraktive dhe pagzoheshin „programe jugosllave“. Lidhur me këtë fenomen të një shkolle të urrejtjes, të një shkolle të „resavës“, çdo gjeneratë serbe ia përshkruan mirë „notat“ e urrejtjës ndaj shqiptarëve dhe për tërë këtë fenomen krimogjen bota „demokratike“ evropiane, sikur kishte filluar për ta kultivuar si të drejtë religjioze, sepse më së shumti këtu kishte hise Kisha me mësimet e saj luftënxitëse. Të paktën kështu prezentohej i tërë ai sistem brenda mureve të pallateve të metropoleve evropiane, pra jashtë mureve të shtetit jugosllav. E Vërteta, ai shtet me kohë ishte cilësuar se mbahet në këmbë të çelçëta, por shfrytzuesit e të „mirave“ të tij ishin në gjendje që ta terrorizojnë deri në themel çdo forcë që e kundërshtonte. Kundërshtimi i Adem Demaçit në atë formë si do të manifestohet, ishte vetëm një manifestim i denjë, do të thoja më i n t e l e k t u a l, se sa kundërshtimi i paraardhësve të Demaçit, prej të cilëve e mësoi tërë shkollën e luftës politike dhe diplomatike, natyrisht duke e zbritur atë shkollë nga froni i folklorit në matematikën semiologjike, por duke e profillaksuar në fronin e kërkimit dhe krijimit të veprave. Ndoshta edhe më parë në radhët e kombit shqiptar ka mundur të lindet një Demaç, i denjë si ky, por mosdalja e karakterit të tillë në skenën historike ka qenë i penguar, sigurisht nga rrethanat, sepse populli nuk ishte i pjekur politikisht deri në atë shkallë sa që ta injektojë idealin e Demaçit në ideal shkollor - doktrinarar. Së këndejmi kur profilaskohen koncepti intelektual dhe koncepti patriotik në politikë, sado që lufta të bëhet e papërballuar dhe e egër, rezultati diplomatik vjen si sihariq i sojit të krenarisë „folklorike“ dhe sakrificës madhështore.

 

Adem Demaçi politikan dhe filantrop

 

     Adem Demaçi edhe si politikan edhe si filantrop, pa asnjë ngarkesë duke respektuar konceptin e „luftës paqësore“, një kohë të caktuar do ti jap pëparësi dialogut, përkatësisht politikës „ngrehë e mos këput“. Ajo politikë ishte kryesisht e xhveshur nga taktika dhe taktizimet ose manovrimet e tipit diplomatik. E vërteta, politika e Adem Demaçit ishte nga të gjitha këndet luftë e konceptuar dhe e koncentruar në shkallë strategjike që mos të dëmtohet asnjë levë e fqinjësisë, të mos dëmtohet asnjë parim i drejtësisë universale i mbështetur në Kartën e OK’s. Adem Demaçi ligjet jugosllave të „drejtësisë“ me kohë dhe në shkallë vizionare i konsideroi si ligje diverzive, të padrejta, koloniale dhe ligje që mbiellin urrejtje. Me kohë okupatorëve ua tha troq, „këto ligje nuk do të ua ngucim, ju jetoni me to, por ne shqiptarët kurrë nuk do të i pranojmë, madje një ditë do t’i luftojmë edhe me mejte tjera“. Në bazë të argumenteve të prezentuara del sheshazi se Adem Demaçi, është luftëtari më i madh në Evropë kundër urrejtjes dhe ksenofobisë në gjysmën e dytë të shekullit XX’të, sepse të gjitha ligjet jugosllave janë me përmbajtje urrejtëse dhe ksenofobe. Me fjalë të tjera, programi i Adem  Demaçit e çmonte realitetin, por e respektonte mbi të gjitha luftën për drejtësi si synim i civilizimit, prej së cilës luftë shumë popuj kishin gjetur lumturinë, kuptohet pas shumë vargojëve të gjakut. Lufta politike e Adem Demaçit nga brendia konceptuale filozofike, e konceptuar si në Programin e tij, nuk është në asnjë çast luftë e mbyllur në klishe, nuk është luftë statike në përceptim, nuk është „fjala e fundit“ në gjenealogjinë e koncepteve shkencore mbi shoqërinë, nuk është pra as shkencë „qytetare“ e as „marksiste“. E kundërta, empirizmi politiko - filozofik dhe diplomatiko revolucionar i Adem Demaçit i përngjanë një kalaje me dy porta. E shprehur figurativisht, nëse porta paqësore për ta fituar lirinë, shqiptarët e mbetur nën robëri më 1912, nuk do të ketë sukses, atëherë për Bacë Ademin mbetej fare racionale që të hapet shansa dhe e drejta për ta hapur portën tjetër, për të hy shqiptarët në kalanë gjithëkombëtare të lirisë me luftë. Prap duhet potencuar se hapja e asaj porte ishte e mundur vetëm me dy metodat e ekzaminuara. Por, sikurse - metoda arsimore pasive paqësore dhe metoda aktive revolucionare e luftës për liri në heuristikën demaçiane janë të kornizuara, kanë sens të gjallërisë dhe dinamikës.

Programi i LRBSH’së, përpiluar nga Adem Demaçi

     Ç’është e vërteta politika serbe si për hapjen e portës me metodën pasive - paqësore, si me metodën aktive - revolucionare Adem Demaçi mendonte se e kishte gjetur çelsin për ta hapur kalanë. Çelësi për atë hapje në rastin e aplikimit të metodës së parë duhej t’i nënshtrohej një evolucioni ku pjekuria dhe serioziteti të shoqëruar me dituri doktrinare, kishin vend konstant. Së këndejmi edhe Adem Demaçi si patriot që nuk mund të ishte diç tjetër, përpos nxënës i asaj shkolle të traditës dhe Rilindjes Kombëtare, që ia kishte mësuar lufta e pashuar, tani gjeneratës së tij ia forconte një fenomen që i kishte munguar luftës shqiptare për lri. Ai fenomen, ishte froni i pamposhtur i luftës me mjete intelektuale që nuk ishte bërë sa kërkonte koha dhe rrethanat deri atëherë. Kudo që shkrepi fjala dhe vepra e Demaçit, kundërshtarët e tij si armiqë për vdekje që e kishin shpallur, e kishin hetuar intelegjecinë mbinormale të një intelektuali prej luftëtari stoik. Lidhur me këtë shtrohet tash pyetja, si ishte e mundur që një shtet shumë „atraktiv“ në botën modene, me të gjitha ata „miqë“ dhe atë pompozitet, me tërë atë zhurmë që ia bënin në formën lajkatare shumë matrapazë nga formati „botëror“ pra edhe disa shqiptarë, ndërsa Adem Demaçi ta lakojë atë rrugë, të deshmojë se ajo rrugë nuk është ajo e vërteta. Unë mendoj se edhe okupatori në fillim kishte iluzione se Adem Demaçin do ta blente me një çmim shumë të volitëshëm, me pak premtime dhe me disa ekzaminime teatrale, me disa molerime të drejtësisë siç ishte çështja e shkollimit dhe e avansimit të statusit të Kosovës (rregjion me statut, krahinë me statut, krahinë me Ligj kushtetues, kushtetë, statut, përpiekje për shfarosje) Ky ishte itinerari i lojërave politike të okupatorit me Kosovën dhe shqiptarët në të, për t’ia zgjatur jetën kolonizimit sllavë. Është e vërtetë se çështjen e shkollimit të popullit të tij Adem Demaçi e kishte vënë si faktor primar, por atë e kishte vetëm si mjet dhe subjekt iluminist. E vërteta, Adem Demaçi besonte në intelegjencinë, por kurrë ai nuk e ka anashkaluar në spekulimet e tij politiko - filozofike çështjen e katundarisë, çështjen e puntorisë, çështjen e zejtarëve, çështjen e qytetit dhe fshatit për t’u ngulitur populli sovran në fronin e luftës për liri univerzale.

     Po cili ishte ai „medikament“, për të cilin politika serbe mendonte se e kishte gjetur për ta joshë Adem Demaçin në qetësi dhe „vigjilencë“ qytetare të një kryengritësi „kryeneq“. Në këtë poliedri politike Adem Demaçi, do të duket më i freskët, më largëpamës, më i gjakëshëm për ta krijuar shkakun të paktën për shkatrrimin e shtetit që ia robëronte kombin e tij. Pse erdhi deri te ky pozicion, mendoi se përgjegja duhet të kërkohet pikërisht te pozicionimi doktrinar i patriotit, në lidhje me evitimin e frikës. Asgjë nuk i bënte përshtypje Adem Demaçit kur i kërcnoheshin se do të vrasim, se të kanë spiunuar shokët, se të kanë tradhtuar të gjithë, madje edhe më të afërmit. Në këtë ngushticë psikologjike, pushtetarët e okpatorit kishin ardhur shumë shpejtë në një përfundim se këtë njeri intelegjent deri në mbinormale, asnjë çmim nuk mund ta blejë, as ta shet, si ishin mësuar me shumë lakej të tipit të reagimit autoritar, të shqiptarit politikan marroq që shitet pas çdo flamuri. Lakejtë e okupatorit një kohë të gjatë mendonin se „shitja dhe blerja“ e shqiptarëve është shndërruar në një industri, e cila serbëve u kishte sjellë shumë përfitime, por te një person që quhej Adem Demaçi, u kishte hasë sharra në gozhdë. Aq më keq u zihej fryma në fyt robëruesve kur ky luftëtar kishte bërë një shkollë, kishte lëshuar shtat lufta e tij speciale, lufta e tij tejet intelegjnte, aq më parë kur ajo po nxinte shtat në institucionet shkollore dhe në uzinat e punëtorëve, në punëtoritë e zejtarëve të cilat në laboratorin më natyror të kombit shqiptar, në odën shqiptare po qiteshin në sitë e në shoshë, po qiteshin çështjet strategjike të kombit, ndoshta jo me atë dubiozën intelektuale politike, por me forcën e sriozitetit dhe kvantitetin e masës, në formën më të lirë të debatit më të vjetër demokratik. Seicili debatues në odën shqiptare e shprehë mendimin e vet kur i kërkohet deri në egersi, por në fund besa - besa i mbulon të gjitha kundërthëniet.

     Adem Demaçi në familjen shqiptare ishte bërë informata më e „ndaluar“ dhe më e përfolur, ishte bërë ora kombëtare që rrahë më sigurtë se kudo në botë, që nuk e huqë asnjë sekondë për çështjen madhore kombëtare të lirisë dhe bashkimit. Emri i tij njëherit për klasën politike e cila mendonte se „çdo gjë për sa u takon shqiptarëve, në shtetin e Jugosllavisë, shqiptarët kurrë nuk e kishin patur më mirë“. Këta „mendimtarë“, shkonin edhe më larg, sa që e theksonin edhe këtë, se shqiptarët gjatë historisë në „këtë sistem e kanë gjetë vetën“. Bile shtonin në emër të popullit se „shqiptarët janë shumë të kënaqur“. Kënaqësia si duket vlente vetëm për ata që i shqiptonin këto shprehje, sepse kudo shqiptarët ishin në „pëshpëritje“, në pakënaqësi të përgjithshme sepse substancialisht ishin të rrezikuar, sidomos deri më 1966. Treguesit për këtë gjendje nuk ishte vështirë, kush dëshironte për t’i shti hundët më thellë, për ta nuhatur të paktën robërinë, sepse „liria“ shqiptare në Kosovë nuk ishte sikurse liria e serbëve. Këtu Adem Demaçi ishte i pakaluar, e kishte kuptuar më holl se çdokush tjetër realitetin, e kishte konceptuar dhe studiuar deri në program diagnozën epidemiologjike robëruese shqiptare, që mos të kënaqen me propogandën, mos të vendnumrojnë dhe të geotiohen në frazat e kënaqësisë politike të disa triumfalistëve që mendonin se kanë arritur kulmet e zhvillimit, që menonin se fati i tyre, se pozita e tyre shoqërore, është poizta e kombit të tyre. E vërteta, shqiptari i mjerë dhe i vuejtur, që nuk ishte mësuar për t’i gëzuar të mirat e punës së tij, të mirat e luftës së tij, ishte vënë në iluzione, se është i çliruar. Dhe si mos të mendoi, kur luftën shqiptari duhej ta fillonte me njëzetë plumba të blerë mu prej armikut, kur nuk kishte fabrika ushtarke, nuk kishte mjekë, nuk kishte prapavijë të furnizimit, ndërsa propoganda e okupatorit fliste për një armatë dhe polici, të „katërt në Evropë“. Vetëm ata që ia njohin mirë kombit të vet ndjesitë, ia njohin mundësitë e sakrificës do të ngriten dhe do të kundërshtojnë gjoks për gjoks, fyt për fyt, me faqe të bardhë.

 

Politika dhe diplomacia e Adem Demaçit

 

     Adem Demaçi tërë diplomacinë e tij politike do ta dëshmojë me rastin e burgimit të parë më 1958. Prokurori dihet se e paraqet interesin më ekstrem të një pushteti, i shtron kërkesat më ekstreme që i përthekon ligji i atij pushteti, madje shpesh nga ai „nxitim“ shumë ekstrem, ngjanë edhe në vendet më demokratike se prokurori dëshmohet se ka dalë jashtë kornizave të „shejtërisë“ ligj. E tërë kjo rrugë empiriko - racionale për pushtetarët dhe mbrojtësit e ligjit, në rastin e Adem Demaçit, pashmangshëm, e gjejmë një fenomen. Për çka është fjala. I burgosuri që do ta dridhë ndërgjegjën evropiane më se tridhjetë vjetë, dhe më në fund po prej asaj ndërgjegje që ishte skalitur nga disa gjenerata të tjera tjetërfare, do të shndërrohet në legjendë dhe do të dekorohet me çmimin më të lartë për paqe - me çmimin „Saharov“. Në hetimet paraprake diku më 1958 prokurori sikur nuk dëshironte të prodhoi „armiqë“ dhe me një rast do ta lus klientin e tij që të pajtohet dhe pendohet me sinqeritet ndaj tërë asaj që kishte shprehur dhe vepruar. E vërteta, deri sa të dali në gjykatore Adem Demaçi sikur i kishte „pëlqyer“ kërkesa e prokuroit. Prokurori në atë luftën e tij hetimore sikur dëshironte një harmoni, sikur kërkonte një kompromis sepse shteti i tij dhe orjenetimi i tij ishte cilësuar se po shënonte rrezultate fantastike në spastrimin e shqiptarëve, të cilët në vargoj po rreshtoheshin në marrjen e vesikave për shpërngulje në Anadoll.

     Ishte e mjaftuar kjo gjendje për okupatorin, sigurishtë se po. Çka i kushtonte prokurorit për ta bërë një trik, për ta „pajtuar“ një disident që konsiderohej mu në start se nuk do të qëndrojë si të tjerët, se çmimi për te ishte tërësisht tjetër. E kishin testuar Demaçin edhe psikologët, edhe strategët e ushtrisë jugosllave, kishin hy ata në burg, ishin paraqitur si rrugaqë, me pseudonime të ndryshme, me lajka ndër më të ndryshmet, por asgjë nuk kishin vrejtur se „këtij njeriu mund t’i gdhendet ose të i instalohet“. Ky orjentim nuk vinte nga një akribi e prokurorit, por shtrohej si rrezultat se ishte fjala për një intelektual të sistemuar drejt dhe të mirëfilltë, i cili i njihte të gjitha rrymat politike dhe filozofike të kohës, mos edhe kishte shkuar pak më larg në stoicizëm dhe metaforën e hollë diplomatike. Kur do të dali në gjykatore Adem Demaçi, në vend që të pendohet, do të shpërthejë me tërë fuqinë e argumenteve kundër një sistemi gjakatar, kundër një rregjimi që shquhej me një tirani ndër më të egrat në Evropë, kur ishin në pyetje shqiptarët dhe të drejtat e tyre. Nuk kishte kërkuar asnjë lloj falje, ishte bërë më i „ashpër“ se prokurori, nuk këronte mëshirë, por kërkonte që lufta e tij të shënohet vetëm si fillim.

     4. Përpjekja e okupatorit që ta amortizojë Liderin shqiptar, Prokurori kundër Adem Demaçit, synonte të arrij më tepër në programin e tij rrënues kunër shqiptarëve, përmes një kompromisi, prandaj ai pushtet kishte konsideruar se konflikti me një shkollë të tillë siç ishte ajo e Adem Demaçit, do t’i prolongonte shumë punë, do t’i lufonte shumë drejtime, që masa shqiptare të organizohet, të vetëdijësohet dhe të avansohet kombëtarisht. Adem Demaçi e kishte kuptuar këtë orientim, se koha dhe shkollimi i shqiptarëve po shkonin kah faktorizimi politik, prandaj në gjykatore do të ligjeroj ligjeratën e vet strategjike, për të cilën synonte të sakrifikojë çdo gjë, pra edhe jetën. Në gjykatore, gjatë procesit të gjykimit Adem Demaçi, nuk do të kalkulojë fare, me tërë aftësinë do të vërsulet në kërkesën që Kosova me vetëvendosje të orjentohet kah dëshiron populli, e jo kah i imponohet me dhunë atij. Orjentimi që Kosova përmes rrugës paqësore t’i bashkohet Shqipërisë, ishte kërkesa sublime e orjentimit politik të luftëetarit më të devotshëm të kombit, për lirinë e tokave shqiptare, të cilat ishin rirobëruar më l912. Adem Demaçi në pozicionin e Liderit i njihte aftësitë e personaliteteve shqiptare, i njihte mirë orjentimet politike në Evropë, prandaj në fillim do të tregohet individualist i madh në luftë, por ai individualizëm nuk ishte filozofia e tij strategjike, por ishte ajo luftë, ishte dobësia e përgjithshme e pjekurisë politike të popullit. Për fat të Adem Demaçit dhe të kombit të tij, epërsia e luftës për t’u shkolluar dhe për t’u emancipuar politikisht populli, ishte më e shpejtë, më e dukëshme në hapërim, karshi egërsisë së okupatorit.

     Pse programuesit antishqiptar të Beogradit më 1945 së pari, me të gjitha mjetet do të luftojnë për ta zhbi Flamurin shqiptar. Së dyti, pse politika, kisha dhe institucionet serbe nuk lanë guri pa lëvizë në dipolamci dhe politikë propogandistike vetëm që edhe një herë ta drejtojnë në saje të një dhune të paparë shqiptarin e Kosovës kah shkretëtirat e Anadollit. Ajo politikë triviale me shpërngulje të shqiptarëve në Anadoll, me kolonizim të serbëve në Kosovë, me politikë denacionaliuese përmes ideologjizimit të çështjes kombëtare, bëhej krejtë me qëllim që viset shqiptare një ditë të serbizohen dhe të kolonizohen me sllavë, nga çdo anë e botës, për t’u bërë hapsira unike jugosllave Serbi homogjene. Jo vetëm kaq, mbyllja e shkollave, politika diskriminuese investive nepër ato vise ku shtriheshin shqiptarët, aksionet barbare të policisë ushtarake, shtetrore dhe politike, kinse për t’i çarmatosur shqiptarët e „armatosur“, ishin kulmi i një tragjedie që manifestohej në tri akte:

·        çkombtarizim,

·        çpronësim dhe

·        shpërngulje masive në Anadoll.

     Kuptohet në bazë të argumenteve që i posedojmë, Adem Demaçi ishte ai që politikën mostruoze jugosllave e lexoi me kohë dhe nga të gjitha dimenzionet, për çka u përcaktua pa asnjë dilemë për ta luftuar deri në shkatërrimin definitiv të tërë asaj force grabitqare. Adem Demaçi e dinte fare mirë se politika serbe mbi Kosovën kishte bërë plane një kohë të gjatë për t’i asgjësuar të gjitha gjurmët kombëtare shqiptare nga kjo pjesë e Shqipërisë etnike. Në atë politikë serbe, Adem Demaçi do të zbulojë një strategji antinjerëzore që Serbia e propagandonte pa asnjë hezitim deri më 1953, të paktën për t’i likuiduar personalitetet shqiptare dhe popullin shqiptar. Ndërsa, në kohën kur bota e civilizuar po krijonte një bindje se shqiptarët e robëruar nën Jugosllavinë, disi janë të liruar nga dhuna shtetrore dhe se dukeshin të „barabartë“ me të tjerët, ajo politikë e vjetër me metoda të reja e kishte perfeksionuar motodën e shfarosjes, prandaj synonte likuidimin e personaliteteve shqiptare, të institucioneve shqiptare dhe popullin shqiptar, po iu dha shansa në etapa ose për njëherë. Lidhur me këtë orjentim postfashist serb, ta hetosh politikën kanceroze, e cila një ditë do të vërsulet në „fëmijtë e vet“, nuk ka qenë vetëm akribi politike e Demaçit, por njëherit edhe vizion i begatimit të luftës civilizuese politike, me qëllim që një pjesë e një kombi të vetdijësohet me një sakrificë të nivelit jo të rendomt, duke iu kërcënuar asaj politike edhe me ftesë drejtuar popullit për luftë të armatosur, kundër një robëruesi, siç ishte Serbia, alias Jugosllavia në Kosovë. Adem Demaçi e dinte fare mirë se hapja e fakulteteve dhe shkollave të larta në Prishtinë, nuk e amortizonte luftën e tij, po përkundrazi e forconte dhe e ashpërsonte sepse, deficiti më problematik për politikën e Demaçit më 1958 ishte ai i mungesës totale të një politike intelektuale. E vërteta, Adem Demaçi kurrë nuk e ka mohuar se edhe para tij ka patur politikanë patriotë shqiptar. Demaçi do të dallohet prej të tjerëve që përpos sakrificës do të kërkojë luftë intelektuale.

                                                                                                          

 

 

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

 

AUTOBIOGRAFI E SHKURTËR E ADEM DEMAÇIT

Adem Demaçi

 

     Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu’Demaçi, Adem Demaç u lind diku në gusht’shtator 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”.

     Gjatë një festimi të shkollës, Adem Demaçi, papritur e pyeti mësuesen e vet Vezire Gllavica, “Mësuese, përse shqiponja në flamurin tonë është e rrethuar me sëpata?”. Kjo pyetje prishi atmosferën në klasë. Mësuese Vezirja që, deri në atë moment, plot gëzim e hare, tregonte se si më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali me burrat e tjerë shqiptarë kishte ngritur përsëri flamurin e Gjergj Kastriotit, vrik ua ktheu shpinën nxënësve dhe u zhgreh në vaj. Nxënësit duke vërejtur se mësuesja Vezire dëneste, edhe ata u zhgrehën në vaj. Vetëm Ademi i vogël mbeti si i ngrafitur nga habia përse e gjithë klasa bashkë me mësuesen qante për shkak të një pyetje aq të thjeshtë që i kishte drejtuar mësueses aq të dashur. Duke mos gjetur përgjigje ngushëlluese edhe ai iu bashkua vajit e dënesjes së përgjithëshme. Pas një copë here, mësuesja Vezire e mori veten, fshiu lotët, iu afrua Ademit të vogël dhe duke ia përkëdhelur flokët e bardhë iu drejtua nxënësve tashmë të qetësuar me fjalë trimëruese: “Edhe pak kohë shqiponja jonë ka për t’i luajtur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sopatat e zeza fashiste!”

Adem Demaçi me mësuesen e tij Vezire Gllavica

     Edhe si nxënës i klasës së parë të Gjimnazit Real të Prishtinës, më 1946, Adem Demaçi me pyetjen e vet “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?” që ia drejtoi arsimtares Zorka Peçenoviq, bëri që kjo e fundit, e befasuar dhe e dëshpëruar nga kjo pyetje, pasi që nuk ia doli ta qetësojë klasën me shpjegimet e veta, u zhgreh në vaj dhe me lot në sy u largua nga ora e mësimit, duke iu ankuar drejtorit të gjimnazit për atë që kishte ndodhur në klasë. Vetëm mosha fort e njomë e Ademit e shpëtoi atë që të mos përjashtohej nga shkolla.

     Në një tubim të letrarëve të Kosovës, më 1955, ku ishin të pranishëm edhe udhëheqës të lartë partiakë e shtetërorë të Kosovës dhe ku këmbëngulej që të provohej se në Kosovë ishin duke u bërë hapat e parë të letërsisë, Adem Demaçi, i cili sapo kishte filluar studimet e letërsisë në Beograd, u ngrit e tha se “ne nuk jemi duke bërë kurrëfarë hapash të parë, sepse ne kemi tashmë traditën tonë letrare, kemi Naimin, Çajupin, Migjenin, Spasen, Nolin, Kutelin dhe se ne vetëm duhet të vazhdojmë rrugën e tyre në letërsinë tonë”. Kjo qe një sfidë që tregoi se në mes të letrarëve të Kosovës po lind rebeli.

     Gjithashtu, në një tubim tjetër, një vit më vonë, të letrarëve të Kosovës, pasi që Mehmet Hoxha, një udhëheqës ende me ndikim në hierarkinë e udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, u zotua që të mos lexohej dhe të mos botohej Ernest Koliqi që jetonte dhe krijonte në Itali, Adem Demaçi, duke marrë pjesë në diskutim tha se “nuk ka asgjë të keqe nëse e lexojmë Koliqin sepse ai është mjeshtër i rrallë i novelës shqipe dhe se ne kemi shumë çka të mësojmë nga ai”. Kjo nuk kaloi pa mërmëritje në qarqet politike të Kosovës, por regjimi komunist më shumë preferonte që, po qe e mundur, Demaçin e talentuar dhe tashmë të popullarizuar, ta bënte për vete se sa të merrte masa kundër tij.

     Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 - 1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. 

     Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, „Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.

     Në verën e 1958, Demaçit iu sugjerua në mënyrë subtile që të inkuadrohej në rradhët e Lidhjes Komuniste, gjë që po ashtu butazi u refuzua nga ai. Mirëpo, kur pas një farë kohe atij ky sugjerim iu bë në mënyrë këmbëngulëse, Demaçi po ashtu u përgjigj me vendosmëri: “Shikoni, për ju më mirë do të jetë të mos ngatërroheni me këtë punë, sepse kur do të më përjashtonin nga Partia, dikush do të mund të kujtohej e të pyeste se kush qe ai që e propozoi Ademin të anëtarësohet në Lidhjen Komuniste dhe do ta “hanit” edhe ju bashkë me mua!”.

 

Shtëpia ku e kaloi fëmijërinë Adem Demaçi

     Me kaq kupa u derdh!

     Në kreun e UDB’së u vendos që Demaçit t’i merrej liria dhe me këtë hap të arriheshin dy objektiva: së pari të eliminohej vetë ai si element “turbullues” dhe së dyti dhe kjo është më e rëndësishmja, inteligjencës shqiptare t’i futej data dhe të mos guxonte të dilte nga binarët e nënshtrimit dhe të konformizmit. Për këtë qëllim, më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.

     Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet - Shqipërinë! Qytetarët që kishin mbushur sallën e madhe të gjyqit nuk i përmbajtën dot lotët. Vetëm nëna Nazife nuk qante. Ajo ishte krenare me birin e vet trim. Dënimin drakonik prej pesë vjetësh Adem Demaçi e priti me buzëqeshje. Sfidën e regjimit për t’u sakrifikuar krejtësisht dhe përgjithmonë për lirinë e Kosovës Demaçi e pranoi me një mendje dhe pa mëdyshje.

     Pas daljes nga burgu i parë, nëna i pat thënë: “Bir i nënës, Nëna Nazife, herët ose vonë, një ditë do të vdesë, por populli shqiptar nuk ka për të vdekur kurrë, prandaj lere Nënën Nazife në dorën e Zotit e ti kapju popullit!”Adem Demaçit iu desh vetëm leja e nënës së vet që me krejt forcën, t’i përkushtohej përpjekjeve politike në funksion të lirimit të popullit shqiptar nga dominimi, diskriminimi dhe destruksioni serbomadh.

     Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin (i ndjeri), Teki Dervishin (Kadri Kusarin (i ndjeri), Din Spahiun (i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin (i ndjeri), Shefqet Strofcin,  Avdyl Lahun (i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin (i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën (i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.

     Regjimi policor serb kishte qenë gjatë tërë kohës në përcjellje të Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit. Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike  të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Titoja, mjeshtri i madh i kozmetizimit të totalitarizmit, tashmë u detyrua të mendonte si të distancohej dhe të shpëtonte nga hija e Aleksandër Rankoviqit, për të vazhduar edhe më tutje pushtetin e vet.

     Kur Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme. Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish’federatën jugosllave. Mirëpo krerët e komunistëve serbë, maqedonas dhe malazias kishin frikë  pikërisht nga një mundësi e tillë, prandaj po merrnin masa intensive në funksion të monolitizimit të shtetit jugosllav dhe të jugosllavizmit si variant i pansllavizmit ortodoks.

     Në frymën e këtyre tendencave, gjatë vitit 1975 në Kosovë, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë. Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje. Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.

Adem Demaçi - duke folur para komunitetit shqiptar në Zagreb

     Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin të patundur, Adem Demaçi  dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, tash katërmbëdhjetë vjet, për herë të parë, autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Pastaj lejuan të hynin edhe disa gazetarë. Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit. Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundëshme.

     Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan. Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Ademi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit. Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë. Madje për habinë e të gjithëve, duke synuar urat e mirëkuptimit, ai për herë të parë e përdori edhe dyfjalëshin “vëllezërit serbë”.

     Në pranverë të vitit 1991 Demaçin e bindën që të merrte kryesinë e “Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Këshilli edhe deri atëhere kishte punuar dhe kishte dhënë ndihmesë të madhe, por me ardhjen e Adem Demaçit në krye të tij, falë autoritetit të tij të madh në popull, falë guximit, aftësive organizative dhe këmbënguljes së tij, këshilli, nga një kolektiv prej gjithsej 25 vullnetarësh, pa lokale të veta dhe pa mjete materiale, shumë shpejt, gjeti lokalet e veta të punës, krijoi mjete të domosdoshme materiale për një punë sadokudo normale, krijoi nëndegët e veta në të gjitha qendrat e Kosovës dhe në shumë qendra të njohura të botës, kështu që në rradhët e  tij ai përfshiu më se 2000 anëtarë.

     Fjala e lirë dhe mendimi i lirë i Këshillit me në krye Adem Demaçin po ndiheshin gjithnjë e më shumë në botë. Në dhjetor 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të të ndjerit Aleksandër Langer, të zonjës Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkëatdhëtarëve tanë Behare Rexhepi dhe Reshat Sahitaj, i akordoi z. Demaçi çmimin e lartë “Sakharov”. Pas kësaj mirënjohje të lartë Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore si dhe shumë bashkëatdhëtarë tanë të shpërndarë në të katër anët e botës. Pas kthimit nga udhëtimi i dytë në SHBA, në pranverë 1993, Demaçi mori një ftesë për të kontaktuar drejtpërdrejt me shikuesit e televizionit të Beogradit dhe të Serbisë përmes televizionit të pavarur të Beogradit. Ftesën e pranoi pa mëdyshje. Brenda 100 minutave, sa zgjat zakonisht emisioni i drejtpërdrejt, mu në mes të Beogradit, Demaçi mbrojti me dinjitet, me argumenta dhe në mënyrë të shkëlqyeshme të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë dhe të pavarur si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.

     Në verën e vitit 1994, me ftesë të Rrethit të intelektualëve të Beogradit (Beogradskij Krug), në krye të të cilit qendronte profesori i ndritur dhe disidenti i njohur, tash i ndjeri Miladin Zivotiq, Demaçi u gjend sërish në Beograd. Mbeti e paharrueshme fjala e tij e frymëzuar që ua tha intelektualëve të Beogardit: “Për këtë që kaq fort e dua lirinë për popullin tim, për këtë jeni edhe ju fajtorë, zotërinj të nderuar, sepse edhe prej jush kam mësuar se si duhet liria e pavarësia..” Edhe në vitin 1995, bashkë me Bajram Kosumin dhe Masar Stavilecin, Adem Demaçi, para po të njëjtit forum në Beograd, u mundua që të mbante gjallë dhe të forconte shansin e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës edhe pse “Marrëveshja e Dejtonit” qe një paralajmërim zhgënjyes për ata që besonin në zgjidhjet paqësore në hapësirat e ish Jugosllavisë.

     Pas shpërthimeve të para të organizuara në shumë pika të Kosovës njëkohësisht, në pranverë të 1996, me angazhimin energjik të anëtarëve të nënkëshillit tonë në Bruksel, Behare Rexhepit dhe Reshat Sahitajt, Adem Demaçi mori rrugën për në Bruksel, Hagë dhe Londër. Përpjekjet e Demaçit për të bindur dhe angazhuar fuqitë evropiane që të përdornin mjetet e tyre për të penguar gjakderdhjen edhe më të madhe që po paralajmërohej në Kosovë, hasën në moskuptimin dhe mospërfilljen e faktorëve përkatës dhe Demaçi u kthye në atdhe shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer.

     I bindur se pa gjak regjimi serb nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më në fund, nuk i refuzoi thirrjet, disa herë të përsëritura, që t’i bashkohej Partisë Parlamentare. Qëllimi ishte që me anë të PPK’së të krijohej mbështjellësi i domosdoshëm dhe i kualifikuar politik për lëvizjen çlirimtare që tanimë rridhte nga zemra e popullit dhe kishte vendosur të paguante çdo çmim për lirinë e vet. Qëllimi tjetër më i zgjeruar ishte që përmes PPK të krijohej “Forumi Demokratik i Kosovës”, një lëvizje e kompletuar gjithëpërfshirëse politike e cila do të na shpinte deri te liria e Kosovës me shumë më pak sakrifica. Me synim që UÇK të vendosej faktikisht dhe formalisht në qendër të lëvizjes gjithëpopullore për liri të Kosovës, Adem Demaçi bashkë me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë të udhëheqjes së atëhershme të PPK, më 5 dhjetor 1997, i drejtoi një Letër të hapur UÇK’së. Me gjithë angazhimin e parezervë për realizimin e këtyre synimeve tejet të domosdoshme, këto përpjekje hasën në moskuptimin tragjik dhe paaftësinë fatale të aktorëve të tjerë politikë që nuk ishin në lartësinë e duhur të momentit dramatik historik.

      Me 22 shkurt 1998, Adem Demaçi, në Prishtinë, në Qendrën Amerikane, në cilësinë e Kryetarit të PPK pati një përballje dramatike me të dërguarin special të SHBA-së për hapësirën e ish Jugosllavisë, z. Gelbard. Në përpjekjet e atëhershme të gabuara amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës duke nënshtruar shqiptarët, z. Gelbard kërkoi nga Adem Demaçi që edhe ky të përkrahë tezën e tij të gabuar se UÇK ishte organizatë terroriste! Kjo kërkesë hasi në kundërshtimin e vendosur të Demaçit. Z. Gelbard tri herë me zë të ngritur i tha Demaçit se “UÇK-ja është organizatë terroriste”, kurse Demaçi tri herë përsëriti së UÇK-ja ishte organizatë çlirimtare. Takimi përfundoi në atë mënyrë që bashkëpunimi midis Adem Demaçit dhe PPK në njërën anë dhe amerikanëve në anën tjetër, rreth zgjidhjes së çështjes së së  Kosovës, u ftoh për disa muaj të ardhëshëm.

     Me 12 gusht 1998, me ftesën e udhëheqjes së UÇK-së në Tiranë u arrit marrëveshja gojore që Adem Demaçi të merrte përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, mu përpara kthetrave të kulçedrës kriminale, hapi Përfaqësinë Politike të UÇK-së dhe rreth vetes mblodhi shumë këshilltarë kompetentë që e ndihmuan pa rezerva për gjashtë muaj- deri më 26 shkurt 1999, aq sa edhe zgjati bashkëpunimi shumë i gjallë dhe i frytshëm midis udhëheqjes së UÇK-së dhe Adem Demacit e stafit të tij të vyer e lojal. Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë” sepse ai ofronte vetëm një autonomi tepër të cunguar për shqiptarët. Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet usharake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.

 

 

( Moderatori i www.pashtriku.org, 29. 09. 2010 )

 

 

 

Teza e gjykime të Prof.Dr.Hakif Bajramit në librin:

 

 “Epoka e Adem Demaçit”

 

   - Lideri është personi komplet që ka karakter të pathyeshëm, që e njeh detyrën deri në profesion të përkryer, që ka kompetenca dhe ambicie për t’i realizuar vizionet, i cili nuk merret fort me faktin se si të punojë, por me imperativin çka të punojë, duke e vërejtur realitetin me një guxim që vrojton jo vetëm me sy, por vëren dhe punon me syrin e mendjes dhe të shpirtit për të bërë ndryshime kolosale në dobi të kombit dhe të njerëzimit;

   - Lideri si Adem Demaçi kurrë nuk vepron në bazë të instinkteve, por gjithmonë mbështetet në analiza të cilat i studion në lëvizje me një aftësi që krijon realizëm, por jo emocione dhe metafora politike;

   - Adem Demaçi - fenomen evropian;

   - Demaçi - politikan dhe strateg i Çështjes kombëtare;

   - Adem Demaçi ishte një njeri që kërkonte liri për një komb, pa ia rrezikuar askujt lirinë;

   - Adem Demaçi ishte një personalitet serioz, para të cilit edhe kundërshtarët më të mëdhenj do të ecnin përtokë;

   - Adem Demaçi doli nga burgu i parë (1958 - 1963) me një edukatë dhe fjalor me të cilin mund t’i jepte këshilla çdokujt;

   - Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit janë një fushë të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave;

   - Adem Demaçit - institucion kombëtar shqiptar që ka vepruar personalisht edhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare;

   - Koha tregoi, se praktika e gjeti udhërrëfyesin e vet më dinjitoz;

   - Demaçi nuk ishte vetëm dinjitoz, por ishte edhe vizionar, ishte lider politik e shpirtëror i pjesës më të mirë të popullit, sidomos i asaj pjese të rinisë;

   - Adem Demaçi edhe sot është luftëtari më i madh në botë për mos urrejtje dhe për drejtësi universale;

   - Adem Demaçi është njëri ndër liderët më të mëdhenj shqiptar në këtë shekull;

   - Adem Demaçi në vitet pesëdhjetë të shekullit XX do të paraqitet si meteor në skenën politike shqiptare, për ta shpëtuar një popull nga shfarosja totale, siç synonte okupatori serb (1945 - 1966);

   - Demaçi është njëherësh njeriu më i vuajtur dhe më i sakrifikuari për të drejta të kombit të vet dhe të njeriut në Evropë;

   - Adem Demaçi nuk është historia e Ballkanit, por është metafora e të gjitha pësimeve të tij, është kryqëzata më fitimtare dhe më dinjitoze e luftës dhe sakrificës, është simboli më sublim i daljes së historisë shqiptare nga inferioriteti;

   - Demaçi është amaneti i Bajram Currit, është mësues i gjeneratës së Fehmi Lladrovcit: “Nuk ka nder ma i madh për mua se me vdekë për Kosovë!«

   - Adem Demaçi ka bërë me burgun e tij, me sakrificën dhe qëndresën e tij politike, me diplomacinë e tij që historia dhe ardhmëria shqiptare mos të mbeten të kontrolluara;

   - Nëse Rene Dekarti i solli civilizimit filozofinë: “cogito, ergo sum” - mendoj, pra jam, Adem Demaçi i solli kulturës botërore filozofinë:“mendoj dhe veproj, pra jam, për lirinë universale”;

   - Nëse ilegalja shqiptare ishte universitet për shembjen e Jugosllavisë, Adem Demaçi ishte rektori i tij;

  - Nëse politika shqiptare udhëhiqet në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup-Tiranë, atëherë Adem Demaçi është Pitagora i saj;

   - Tito me »Marrëveshjen Xhentëlmene 1953« në bashkëpunim me Turqinë në mënyrë perfide planifikonte shfarosjen (spastrimin) e shqiptarëve përmes dy metodave përnjëherë, ose në disa etapa, deri më 1961.

   - Shqiptari i sojit të Adem Demaçit nuk ka mundur t’i vërente këto krime mbi popullin e vet pa një reagim, pa një program ku shpalohej rruga se si të shpëtohej populli nga një shfarosje e sigurt;

   - Adem Demaçit që nga viti 1954 kultivoi vizionin për ndarjen e Kosovës, përgjithmonë, nga Jugosllavia, por si strategji e qartësoi më 1964;

   - Adem Demaçi, do ta konceptojë një doktrinë të re dialektike, do ta përpilojë një strategji të mirëfilltë kombëtare, për ta përballuar dhunën, për ta ruajtur substancën kombëtare, për ta ruajtur çdo pëllëmbë të truallit arbëror;

   - Adem Demaçi ligjet jugosllave të »drejtësisë« me kohë dhe në shkallë vizionare i konsideroi si ligje diverzive, të padrejta, koloniale dhe ligje që mbillnin urrejtje;

   - Programi i Adem Demaçit e çmonte realitetin, por e respektonte mbi të gjitha luftën

për drejtësi si synim i civilizimit;

   - Për Bacë Ademaçin mbetej fare racionale që të hapet shansi dhe e drejta për ta hapur portën tjetër, për të hyrë shqiptarët në kalanë gjithëkombëtare të lirisë me luftë;

   - Okupatori në fillim kishte iluzione se Adem Demaçin do ta blinte me një çmim shumë të volitshëm, me pak premtime dhe me disa ekzaminime teatrale, me disa molerime të drejtësisë;

   - Adem Demaçi besonte në inteligjencien, por kurrë ai nuk e ka anashkaluar në spekulimet e tij politiko-filozofike çështjen e katundarisë, çështjen e punëtorisë, çështjen e zejtarëve, çështjen e qytetit dhe fshatit për t’u ngulitur populli sovran në fronin e luftës për liri universale;

   - Adem Demaçi në familjen shqiptare ishte bërë informata më e »ndaluar« dhe më e  përfolur, ishte bërë ora kombëtare që rrah më sigurt se kudo në botë, që nuk e huq asnjë sekondë për Çështjen madhore kombëtare të lirisë dhe bashkimit;

   - Në gjykatore Adem Demaçi, në vend që të pendohej, do të shpërthente me tërë fuqinë e argumenteve kundër një sistemi gjakatar;

   - Adem Demaçi nuk do të kalkulonte fare, me tërë aftësinë do të vërsulej në kërkesën që Kosova me vetëvendosje të orientohet nga dëshiron populli;

   - Orientimi që Kosova përmes rrugës paqësore t’i bashkohet Shqipërisë, ishte kërkesa sublime e orientimit politik të luftëtarit më të devotshëm të kombit, për lirinë e tokave shqiptare, të cilat ishin rirobëruar më 1912;

   - Adem Demaçi në pozicionin e LIDERIT i njihte aftësitë e personaliteteve shqiptare, i njihte mirë orientimet politike në Evropë, prandaj në fillim do të tregohej individualist i madh në luftë, por ai individualizëm nuk ishte filozofia e tij strategjike, por ishte ajo luftë, ishte dobësia e përgjithshme e pjekurisë politike të popullit;

   - Adem Demaçi e dinte fare mirë se politika serbe mbi Kosovën kishte bërë plane një kohë të gjatë për t’i asgjësuar të gjitha gjurmët kombëtare shqiptare  nga kjo pjesë e Shqipërisë etnike;

   - Adem Demaçi e dinte fare mirë se hapja e fakulteteve dhe shkollave të larta në Prishtinë, nuk e amortizonte luftën e tij, por, përkundrazi, e forconte dhe e ashpërsonte, sepse deficiti më problematik për politikën e Demaçit më 1958 ishte ai i mungesës totale të një politike intelektuale;

   - Adem Demaçi kurrë nuk e ka mohuar se edhe para tij ka pasur politikanë patriotë shqiptarë. Do të dallohej prej të tjerëve që përpos sakrificës, do të kërkonte luftë intelektuale;

   - Ka pasur lëvizje cikcake,deri me dukjen e Adem Demaçit se Kosova duhet në rend të parë të nxirret nga gjiri i Serbisë, ndërsa nga gjiri i Jugosllavisë kërkohej niveli republikan;

   - Në ilegalen shqiptare ka pasur edhe zëra të atillë të cilët qysh më 1951/2 kishin nxjerrë zërin se Kosova duhet ta ndryshojë statusin e saj drejt bashkimit me Nënën Shqipëri;

   - Mirëpo, Zgjidhje e zgjidhjeve për ilegalen shqiptare ishte dhe mbeti statusi përfundimtar i Kosovës;

   - Lideri shpirtëror i shqiptarisë, Adem Demaçi, është bashkuesi i ilegales shqiptare ne një  Programit politik, udhërrëfyes historik i Bashkimit politik shqiptar,  nën emrin “Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve«;

   - »Lëvizja revolucionare për bashkimin e shqiptarëve«, e vitit 1963, ka një histori e cila lidhet drejtpërdrejt me emrin e Adem Demaçit;

   - “Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” kishte katër pika që nuk mund të mos përmenden, si Betim i brezave:

   “1. Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi në shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet - Shqipërinë.

   2. Lëvizja jonë për me mbërritur qëllimin e lartpërmendur ka me përdorur të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdorë - prej atyre politikopropagandistike - mjetet paqësore e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore.

   3. Në realizimin e së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim, Lëvizja jonë do të pranojë, me miradije të madhe, çdo ndihmë e përkrahje të sinqertë, materiale dhe morale  - prej ngado dhe kujtdo që i vijnë e t’i ofrohen.

   4. Lëvizja jonë nuk drejton aktivitetin dhe luftën e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit  të saj shoqëroro - ekonomik si tërësi, por aktiviteti dhe lufta e saj do të vazhdojë, do të shkojë deri në atë shkallë, sa t’i çlirojë dhe t’i bashkojë me Shqipërinë krahinat shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë”.

   - Ky program ngërthen kërkesat historike legale dhe ilegale jetësore të kombit shqiptar në të gjitha etapat e historisë, si dje edhe sot ende i copëtuar me dhunë ndërkombëtare;

   - Lëvizjes ilegale revolucionare për bashkimin e shqiptarëve, e përshkonte  pra shqiptaria dhe jo ngjyrat politike;

   - Demonstratat e vitit l968 me emrin e Adem Demaçit i kishin vënë në strategjinë filozofike qytetare evropiane, ndërsa Demonstratat e vitit l98l, gjithashtu Lëvizja shqiptare i kishte vënë në ballë të luftës politike shqiptare për zgjidhje.

   - Lidhur me këtë rrugë të vështirë për liri dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në rend të parë do të shkëlqejë Adem Demaçi me një lagje të re patriotësh, lufta e të cilëve ishte e programuar deri në detalin më sublim;

   - Në një dokument të qarqeve jugosllave më 1967, do të thuhej decidivisht: «Adem Demaçi paraqet rrezikun më të madh që problemi Kosovar të na dalë një ditë prej dore«;

   - Metoda paqësore e luftës në Programin e “Lëvizjes revolucionare për bashkimin e shqiptarëve”, është koncentruar si doktrinë politike. Lidhur me këtë në Program nuk janë caktuar limitet e saj kohore, as mjetet e saj të luftës, sepse konsiderohet se ishin të njohura;

    - Lëvizja revolucionare, sipas shumë të dhënave, kishte në plan grumbullimin e »armëve«, por ai grumbullim kurrë me asnjë argument nuk është dëshmuar;

   - Metoda paqësore për Lëvizjen, le të kuptohet se krijuesit dhe ideatorët nuk ishin fanatikë-militantë, por ishin filantropë, aq më parë kur dëshmojnë se nuk janë kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj, por janë që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, sepse lufta e tyre ishte e drejtë, sepse kërkesa e tyre ishte legjitime;

   - Filozofia e Adem Demaçit nuk kishte shans që të dilte humbëse historike;

   - Me Programin e »Lëvizjes revolucionare për bashkimin e shqiptarëve« lufta paqësore dhe kryengritja e armatosur e kishin një karakter, i cili i kishte dy pika të drejtpeshimit të hapërimit historik;

   - Po mos të kishte në mes të luftëtarëve të ilegales ndonjë konflikt strategjik, po mos  të kishte në luftën e legales iluzione fikse, koha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vinte më shpejt;

   - Fuqia politike, sakrifica morale dhe shpirtërore e Adem Demaçit, në Çështjen kombëtare, se nga do të shkojë Kosova, ka dominuar afro një gjysmë shekulli, për t’u pozicionuar aty ku duhet, në embrion;

   - Kastave politike në Shqipëri, nuk kanë sakrifikuar asgjë për Çështjen e  Kosovës si e shtronte Adem Demaçi;

   - Adem Demaçi është personalitet i veprave të mëdha dhe sakrificave që  të tjerët nuk mund t’i durojnë;

   - Adem Demaçi e filloi burgimin më 1958, si »individualist«, kur e mbaroi burgun e fundit më 1990, i tërë populli brohoriste emrin e tij, e tërë Kosova ishte në këmbë;

   - Në vitet e 90-ta Demaçi do të bëhet vizionar dhe kreator i NEOLUFTËS me UÇK-në në ballë;

   - Demontimi i sistemit dhe demontimi i shtetit të Jugosllavisë, ishin konceptet më të njohura që burojnë nga filozofia ekliptike e Adem Demaçit;

   - Adem Demaçi e filloi burgun vetëm, por e mbaroi me disa »divizione« shqiptarësh nëpër burgje, të cilët u bënë universiteti më i organizuar në luftë për liri. E vërteta Adem Demaçi nuk ishte »rektor« i atij universiteti, por ishte ideolog dhe prijës shpirtëror i asaj shkolle kombëtare, në luftë për liri. Në këtë shkollë çdo shqiptar i vërtetë ka luftuar të bëhej nxënës i Demaçit;

   - Adem Demaçi do të lajmërohet në demonstratat e vitit 1968 përmes atyre patriotëve që ishin të nxitur prej tij. Ajo gjeneratë kishte për qëllim demontimin e sistemit të Jugosllavisë;

   - Frytet e para legale nga Programi i Adem Demaçit, i cili e drejtonte Lëvizjen revolucionare ishin demonstratat e vitit 1968 dhe 1981 për liri dhe bashkim të shqiptarëve;

   - Asgjë nuk do ta ndalte gjeneratën e Adem Demaçit në anën tjetër se më 1981 do të fillonte shkalla tjetër e demontimit të shtetit Lidhur me këtë itinerar të vijave të thella politike më 1 tetor 1997 Adem Demaçi do të ndahej përgjithmonë nga metoda paqësore dhe do të vërsulej në aplikimin e metodës së luftës së armatosur, më vonë edhe si shef i Zyrës politike të UÇK-së;

   - Mbi të gjitha Adem Demaçi do të mbetej luftëtari më i devotshëm i fjalës së lirë;

   - Në luftën e Adem Demaçit kanë hise edhe dhjetëra e dhjetëra intelektualë patriotë që ishin survejuar për të njëjtën çështje para tij , dhe me të e deri më 10 qershor 1999;

   - Karakteri i çlirimit kombëtar, i kuptuar sipas Adem Demaçit, nuk është vetëm luftë për bashkim, por është dhe mbetet kërkesë për çlirimin shpirtëror, për ta krijuar populli një dinjitet stoik se nuk ka fuqi që do të mund ta qesë fare, se nuk ka fuqi që do ta ndalë atë popull drejt pjekurisë politike kombëtare, kur e mënjanon frikën dhe kur e vendos për të rezistuar;

   - Mësimi i Adem Demaçit për formimin e kombit është mësim dialektik,  është koncept i hollë shkencor që i ka qëndruar kritikës, edhe asaj me pendë, edhe asaj me armë;

   - Në Programin e Lëvizjes, Adem Demaçi e shtron analizën dinjitoze lidhur me kryengritjen e Drenicës më 1945.

   - Në Program, gjithashtu, i bëhet analizë gjendjes politike, kulturore, sociale dhe shëndetësore në Kosovë;

   - Të ashtuquajturit Kuvendit të Prizrenit më 10 korrik 1945, Adem Demaçi e quan me të drejtë »llakërdi«;

   - Adem Demaçi është filozof i perspektivës, i racionalizmit dhe i apriorizmit në përgjithësi, sepse me guxim të pashoq i hyn problemit i cili në shikimin e parë »nuk kishte zgjidhje«;

   - Ky luftëtar është politikani i parë shqiptar që e nxjerr doktrinën filozofike  racionale, duke iu shmangur transcendentalizmit dhe fokusimit të »realitetit për vete«;

   - Demaçi i qorton të gjithë ata që ia kishin copëtuar Shqipërinë, që e kishin kthyer një pjesë të kombit të tij në pozicion të mundshëm për shfarosje;

   - Demaçi e qorton edhe kombin e vet, se po nuk veproi, po nuk lëvizi, po nuk reagoi paqësisht përmes një evolucionizmi psikologjik, duke iu afruar kështu substratit filozofik të demonstratës, e cila do të ngjajë më 1968;

   - Adem Demaçin është fat kombëtar sepse është  karakter i pathyeshëm, sepse është në rend të parë filantrop dhe misionar i lirisë universale;

   - Adem Demaçi me orientimin e tij patriotik do t’ia ndezë kombit zemrat, do t’ia ngrohë shpirtin popullit për sakrificën që e bënte, edhe pse hapur nuk kishte guxim të solidarizohej me të;

   - Në veprën e tij »Gjarpijtë e gjakut« Adem Demaçi e lufton vajtimin dhe rënkimin, e kërkon nga populli pozicionin e njeriut që qesh, që është i gëzuar, që e do lirinë;

   - Adem Demaçi kërkon që populli të bashkëqëndrojë, të veprojë me forcë koncentrike kundër çdo prapambetjeje;

   - Adem Demaçi lufton që tërë populli të ndihet përgjegjës për atë gjendje që është, për atë pozicion që ka, ta pranojë kritikën dhe të edukohet në të;

   - Adem Demaçi edhe më 1992 në TV-në e Beogradit ishte vizionar, por askush nuk deshi ta dëgjonte dhe tash, të gjithë po i numërojmë viktimat, po i shërojmë plagët, por mjerisht shumëkush është bërë patriot dhe po e politizon livadhin e vet;

   - Demaçi: Luftën tonë, po dëshiruam sukses të plotë, duhet ta përqafojnë të gjitha shtresat e popullit;

   - Për Adem Demaçin, mbetet aksioma se lufta jonë është e drejtë!;

   - Demaçi, Lideri për Shqipërinë etnike;

   - Lideri shqiptar jo vetëm më parë, por edhe gjatë tërë shekullit njëzet, e kishte vështirë të promovohej me të gjitha vetitë që i duheshin.

   - Lufta e Adem Demaçit në Forumin Demokratik në vitin 1990 ishte largpamëse dhe vizionare, sepse prej të gjithëve kërkonte politikë aktive e jo konservim dhe frikësim të popullit;

   - Edhe sigurimi i Shqipërisë në anën tjetër nuk kishte interes që Adem Demaçi  t’i kalojë kufijtë e Kosovës me autoritetin e tij, sepse edhe atje kishte frikë se një ditë do të »demaçizohej« e tërë Shqipëria, sikurse Kosova;

   - Ademi: Kosova duhet të nxirret nga Serbia. Së këndejmi ngritja e Kosovës republikë e kishte qëllimin e fitimit të statusit nga vetëvendosja në Shkëputje;

   - Jugosllavinë do ta shtrojnë përdhe dhe do ta komprometojnë deri në humnerë, pikërisht nxënësit e Adem Demaçit dhe Metush Krasniqit, shkolla kombëtare demaçiane e ilegales dhe legales, për të shpërthyer me tërë vrullin revolucionar gjithëpopullor në demonstrata më 1981;

    - Shkolla e Adem Demaçit me këto ngjarje kthese tanimë kishte fituar të drejtë  qytetare. Më nuk kishte dilemë, demonstratat nuk patën të ndalur, e vunë  Çështjen e Kosovës në krye të çështjeve politike evropiane;

   - Rinisë shqiptare i duhej vetëm një muaj për t’i përgatitur demonstratat, ndërsa qarqeve në pushtet i duheshin vite për t’i kuptuar ato;

   - Me emrin e Adem Demaçit filloi Lëvizja e Pajtimit Kombëtar të cilës i printe profesori i urtë Anton Çetta;

   - Në nëntor të vitit 1998 Adem Demaçi do t’u drejtohet këshilltarëve politikë: është nder të vritemi për liri të këtij populli;

   - Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për afirmim të mëtejmë politik dhe diplomatik. Adem Demaçi do të bëhej ai që për çdo ditë edhe nga gjashtë ekipe të gazetarëve do t’i drejtonte nëpër viset e ndryshme të Kosovës. Nënshkrimi i Adem Demaçit ishte pasaporta më valide për ta shkelur tokën e Kosovës çdo  diplomat dhe gazetar i huaj;

   - I pyes disa shkrimtarë dhe zhurnalistë që iu kanë vërsulur Demaçit për qëndrimin ndaj Konferencës së Rambujesë, e kuptojnë ata politikën e filozofisë?;

   - Për mospjesëmarrjen e Adem Demaçit në Konferencën e Rambujesë, anash vuajtjet shpirtërore të tij, sepse nuk mund të pajtohej me 3000 policë serbë dhe dyfish më tepër ushtarë serbë që të mbeten në Kosovë; Adem Demaçi i dinte fare mirë kornizat e tubimit të Rambujesë, i njihte më mirë se çdo politikan shqiptar prapaskenat serbe, në anën tjetër;

     - Projekti i Rambujesë ishte evropian. Por, në qarkullim ishte edhe projekti amerikan. Ky projekt parashihte vendosjen e forcave të NATO’s në Serbi; nga Kosova largoheshin të gjithë ushtarët dhe policët serbë. Në Kosovë vendosej protektorati me afat. Pa “kryeneçësinë” e Demaçit nuk do të vihej në jetë Projekti Amerikan;

   - Edhe tashti diikush do të pyeste: “Pse nuk po e merr sërish Adem Demaçi pozitën e prijësit.?!?”

   - E them me kompetencë, se sot shqiptarizmi është mbushur me demagogë dhe personalitete të korruptuar, saqë edhe një herë po të lindte Demaçi, nuk do të kishte çka të bënte. Çështja shqiptare i ngjason asaj vjershës së Vaso Pashës;

   - Adem Demaçit pra duhet t’i ndihmohet në të gjitha fushat politike, por edhe ai duhet të zbresë paksa në kooperim me liderët e vegjël, pa të cilët nuk mund  të mbahet në fronin e vërtetë asnjë lider i mirëfilltë;

   - Lideri ka të bëjë me faktin se ai duhet të bëhet produkt për të sjellë dobi për të tjerët, e jo për vete, pothuajse nuk po mund të gjendet lider shqiptar që komunikon me opinionin e vet me sy, me shpirt dhe me mendje, duke parandier me një intuitë tërë peshën e detyrave se çka duhet bërë për momentin dhe në të ardhmen;

   - Ka ardhur koha që idealin e ardhmërisë mos ta shprehë vetëm Lideri, por atë ideal ta shprehë populli për t’u bërë kombi shqiptar ai që është dhe

duhet të jetë;

   - Do të përmbyllja: “S’janë jo të huajt që e shpëtojnë Shqipninë, Janë shqiptarët e askush tjetër, Mbani ne mend se është fjalë e vjetër...!”

 

I zgjodhi dhe i klasifikoi Prof.Dr. Muhamet Pirraku

 Prishtinë, 23. 06. 2010

 

*   *   *

Të dhëna bibliografike për Prof. Dr. Hakif Bajramin

 

Prof.Dr.Hakif Bajra­mi është një det që ka thellësi

dhe gjerësi ende të pa reflektuar në letëR

 “E vërteta mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes”- Volter'i

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Pirraku

 

*    *    *

 Profesor Doktor Hakif Bajrami, pa asnjë krahasim, është historiani shqiptar më produktiv, me një origjinalitet historiografik filozofik e  dokumentar që tejkalon kornizat e asaj që është ngulitur të thuhet - “Shkollë historiografike e Ali Hadrit”.

U lind më 7 mars 1943, në katundin Balsh të komunës së Besianës, Malësi e Llapit. Shkollimin tetëvjeçar, me sukses shem­bu­llor, e kreu në Besianë. Këtu e kreu, me sukses shembullor, dhe shko­­­lli­­min e mesëm, në gjimnaz. Në Prishtinë, pikërisht në Degën e Historisë së Fakultetit Filozofik, i mbaroi studimet universitare. Nga viti 1969 u punësua si arsimtar i gjuhës latine dhe i sociologjisë në Gjimnazin e Besianës, por do të do të nxirret nga detyra si i “padë­shi­ruar potencial për regjimin”. Më 1970 erdhi në Gjimnazin e Prishtinës, prapë arsimtar i gjuhës latine dhe i sociologjisë, kurse nga viti 1973 edhe i historisë në Gjimnazin e Prishtinës dhe të paraleles së tij në Besianë, e njëko­hësit i vazhdoi studimet pasuniversitare, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, për të magjistruar më 1975. Nga tashti, me gradën shkencor “Magjistër i Shkencave të Historisë” u punësua “Bashkëpunëtor shkencor” në Entin e Historisë së Koso­vës, ku i ngjeshi përpjekjet për ngritjen profesionale shken­core dhe më 15 janar 1979 e mori gradën shkencore “Doktor i Shkencave historike”.

Në periudhën e ngritjes profesionale në fushë të dijes histo­rio­grafike, gjatë viteve të ‘70’ta të shek. XX, Profesor Hakif Bajrami, me financim familjar dhe shoqëror, hulumtoi në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë, në Arkivin e Institutit Ushtarak, në Arkivin e Serbisë, në Arki­vin e Jugosllavisë dhe në Arkivin e Sekretariatit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë në Beograd, si dhe në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Kroacisë, në Zagreb, dhe në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë, e nisi të shquhet si gjurmues e ndriçu­es veçanërisht i historisë shqiptare të Kosovës nën robërinë e Mbre­të­risë Jugosllave dhe të Luftës së Dytë Botërore, për çka do të deko­rohet, më 1980, me  dekoratën më të lartë të kohës në Kosovë, me ”Shpërblimin e Dhjetorit.

Kjo i hapi rrugë që në një kohë shumë kritike për shkencën historiografike shqiptare të Kosovës, pikërisht nga shkurti i vitit 1981 deri në mars të vitit 1990, të mbante postin e drejtorit të Arkivit Shtetëror të Kosovës, porse një kohë i “pa dëshiruar”, meqë ishte nënshkrues i të ashtuquajturit - “Apeli 215” të vitit 1989 - “...për Repu­bli­kën e Kosovës në Kudër të Jugosllavisë!” Si pasojë, më 1990, do të pushohet nga detyra e drejtorit, e për faktin se do t’i  bashkohet, me gjithë qenien, “Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Has­më­rive”, në shkurt të vitit 1991, me policë të armatosur do të nxirret nga ndërtesa e Arkivit, për t’u kthyer vetëm pas Fitores së Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Profesor Hakif Bajrami nuk do të lakohet dhe, do t’u përkushtohet përpjekjeve për ta forcuar unitetin politik kombë­tar shqiptar për Luftën Çlirimtare Shqiptare nga robëria serbo-jugos­lla­ve, për çka, më 1991, është dekoruar nga Klubet e Diasporës Shqi­p­tare në Zvicër.

Historiani ynë, Dr. Hakif Bajrami, në shekullin e tij të veprimtarisë shkencore i arriti të gjitha gradat shkencore, në afatet ligjore, deri në “Këshilltar shkencor”, ekuivalent me gradën “Profesorit ordinar”, dhe me kohë u propozua nga kolegët në kolektivin punues, kandidat për akademik të ASHAK-së, por nuk e plotësoi kushtin kryesor - “Të përshtatsh­më­risë politike jugosllave”. Për vlerat e veprës së tij historiografike fletë edhe “Dekorata e Posaçme Kombëtare”, ndarë, më 1997, nga “Minis­t­ria e Shkencës dhe Kulturës” dhe “Akademia e Shkencave të Shqi­pë­risë”, pikërisht në një kohë kur i ashtuquajturi “Pushtet Paralel” i LDK-së nuk urdhëronte që Prof.Dr.Hakif Bajrami të punësohej në Institutin Alba­nologjik, ku, sipas deklarimit tim me shkrim, do t’a ndanim, përgjysmë, “rrogën” time prej 40 markash!?!, qartë për faktin se nuk e plotësonte kushtin politik të përkatësisë Lëdëkëiste, pasi në vitet 1995-1999 ishte anëtar i “Partisë Parla­mentare”, dhe shquhej si  prouçëkëistë e në vitet 1998/99 i përkiste “Timit” të Këshilltarëve politiko-diplomatikë në Zyrën e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, Liderit kombëtar, Zotëri Adem Demaçi, me seli legale publike në Prishtinë, sfidë kjo më e prekshme për pushtuesin!

Në fushë të diturisë historiografike Profesor Doktor Hakif Bajra­mi është një det që ka thellësi dhe gjerësi ende të pa reflektuar në letër. Asnjë shënim biobibliografik për Hakifin nuk i përmban titujt e rreth 630 studimeve, punimeve fejtonistike historiografike dhe të përqasjeve politike të botuara në gazeta ditore dhe në revista shkencore shqip e serbokroatisht. Për këtu t’i rikujtojmë, së paku, vetëm titujt e Veprave të Profesor Hakif Bajramit:

 

1.      Rrethanat shoqëroro politike në Kosovë 1918-1941, Prishtinë 1981, fq. 365;

2.      Aradhja Partizane e Shalës, Beograd 1981, fq. 106;

3.      Partia Komuniste e Jugosllavisë në Kosovë 1919-1941, Prishtinë 1983, fq. 238;

4.      Aradhja Partizane “Bajram Curri”, Prishtinë, 1985, fq. 244;

5.      Bataloni Partizan “Meto Bajraktari”, Prishtinë 1988, fq. 232;

6.      Libri i bardhë (në katër gjuhë: shqip Anglisht, frëngjisht, gjermanisht, serbokroatisht), Prishtinë-Tiranë,1992, fq. 106 ( gjithsej 512 faqe);

7.      Tragjedia e Tivarit, Prishtinë 1993, fq. 226;

8.      Bedri Pejani 1885-1946, Prishtinë, 1994, fq. 205;

9.      Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995, Prishtinë 1995, fq. 208;

10. Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi (dokumente), Prishtinë 1996, fq. 506;

11.  Mustafë Hoxhë Nishefci 1915-1995, Prishtinë 1997, fq. 338;

12. Kosova prej Bujanit në Kaçanik,  Prishtinë 1997. F. 424 ( i ndaluar më 1990 në shtypshkronjë);

13. Programet që shënuan historinë kombëtare shqiptare 1878-1997, Prishtinë 1997, f. 162;

14. Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944, Prishtinë 1998, fq. 302;

15. Ismail Hasan Ajeti-Bushi, Prishtinë 1999, fq. 166;

16. Ibrahim Gjakova shtyllë e Komitetit Kosovës, Prishtinë 2000, fq. 104;

17. Met Podjeva-Babloku, 1888-1976, Prishtinë 2000, fq. 202;

18. Kosova njëzetë shekuj të identitetit saj, Prishtinë 2001, fq. 156;

19. Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948 (vëllimi i parë), Prishtinë 2002, fq. 634;

20. Programi  Kombëtar politik i shqiptarëve, Prishtinë, 2002, fq. 110;

21. Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912 (1), Prishtinë 2003 fq. 230;

22. Dosja Demaçi, Prishtinë 2003 dhe botimi i dytë 2004,479;

23. Naçertania program politik serb për shfarosjen e shqiptarëve 1844 – 1999, Prishtinë 2004, fq, 339;

24. Riokupimi i Kosovës nga Serbia më 1918 (2), Prishtinë 2004, fq. 310;

25. Politika dhe lufta e drejtë shqiptare përballë neofashizmit serb 1989 – 1999, Prishtinë, 2006, fq. 530;

26. Antimemorandum (në gjuhët: shqip, anglisht, serbisht), Prishtinë 2007, fq. 207;

27. Zavere i zloçini UDB-e Jugoslavije prema albancima na Kosovu do 1966, Pristina,  2008, fq. 207;

28. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe Qeveritë e Tiranës për krimet serbe ndaj shqiptarëve 1918-1941, Prishtinë, 2008, fq. 462;

29. Shqiptarët në mes Lindjes (Stalinit) dhe Perëndimit (Çerqillit), (botuar si fejton ekskluziv në “Kosova Sot”, 2008 (në procedure për botim në libër);

30. “Si e tradhtoi PKJ udhëheqësin shqiptare rreth çështjes së Kosovës ( dokumente sekrete” - Libër në procedure të botimit;

31. Epoka e Adem Demaçit, Prishtinë, 2009, fq. 68.

     Vlerë që nuk mund t’ia caktosh çmimin për rëndësinë shkencore e politike, janë një vistër i botimeve të dokumenteve arkivore historiografike, të siguruara nga Profesor Hakif Bajrami e të cilat, mjerisht, matrapazët e historisë, të cilët nuk kanë shkelë Derën e  Arkivit, i vjelin si “Në bahçe te Babës!?!”

  Të përmendim këtu vetëm disa syresh:

  “Konventa Jugosllave -Turke 1938” për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, botuat më 1980;

  “Prememorjen e Gj. Bisakut, Sh. Kurtit dhe L Gashit, e vitit 1930, për gjenocidin ndaj Shqiptarëve në Jugosllavi, botuar më 1989;

  Marrveshjen Xhentelmene Tito - Kyprili të vitit 1953, për dëbimin e shqiptarëve në Anadoll, botuar më 2002;

  Gjenocidi serb në Kosovë 1844-1999, botuar më 2002 dhe dorëshkrimi:

Duke përmbyllur pasqyrimin Biobibliografik për autorin e veprës: “Epoka e Adem Demaçit”, të cilën po e hapim për diskutim pu­b­lik, sot, do t’u mbetja borxh, kolegut tim dhe Juve, po të mos kon­s­tatoja: Profesor Doktor Hakif Bajramin e shqoi, në të gjitha situatat, guximi civil i pashoq në mbrojtje të dinjitetit të kombit shqiptar. Mori pjesë në shumë kongrese, simpoziume e konsulta shkencore e poli­tike kombëtare e ndërkombëtare dhe, për e rreth historisë shqip­tare, po­le­mizoi me shumë historianë serbë, kroatë, maqedonas, francezë, ma­lazezë, rumunë, rusë e të tjerë. Meqë dëshmitë historiografike ish­in, në të gjitha kohët, dëshmi për hisen shqiptare në Lirinë e prokla­mu­ar në Jugosllavinë Avnojiste, Dr. Hakif Bajrami ishte avokati më i merituar i Lirisë së shqiptarëve nën Jugosllavinë, jo pa rreziqe për je­tën e tij. Për këtë fakt është dëshmi vepra historiografike e Hakifit, nga shkrimi i parë deri të vepra e sapo botuar, që na shërbeu për për­qa­sjen tonë publike historiografike e politike të sotme. 

Libri: “Epoka e Adem Demaçit”, ka  Parathënien dhe 17 krerë tematik historiografik, politik e polemizues, kurse në rolin e pasthënies paso­j­në dy vlerësime shumë afirmative për përmbajtjen e tekstit të librit, të botuar, fillimisht, në gazetën “Kosova Sot”.

Për hir të së vërtetës shkencore më duhet të konstatoj se autori dorëshkrimin e ka ngritur para disa vitesh, me një frymë krijuese e me një guxim intelektual konstant në shërbim të Lirisë së kombit, por në tekst ka ndërhyrë sapo mori vendim për ta publikuar, për t’ia dhënë edhe frymën e kërkesave aktuale të Kosovës dhe të ko­m­bit në përgjithësi, në një kohë, kur katërçipërisht shqiptarët po ndje­hen të tradhtuar nga “liderët” partiak e “shtetëror” dhe nga Bashkësia Ndërkombëtare e përçarë dhe, në vijimësi, mikluese e stimuluese për apetitet koloniale të gjakësorit serb, që kreu gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë, nën dri­tën e Reflektorëve të KS të OKB-së dhe të NATO-s!?! Ngase tashti Pro­fesor Hakif Bajrami ishte i rraskapitur nga një lëngim i gjatë, nuk ka arritur që t’i harmonizojë ndërhyrjet në dorëshkrimin e her­shëm, e si rrjedhojë ndodhën përsëritje dhe ndonjë kundërthënie evidente. Këto mangësi krejt lehtë do t’i evitonte një dorë redaktoriali i stërvitur në fushë të dijes, e që i mungon këtij publikimi shumë të rëndësishëm për Mendimin historiografik politik shqiptar. Profesor Hakif Bajrami gjithsesi është i vetmi historian yni që ka argumente, guxim e dije teorike për të ndriçuar problema­tikën historiografike politike, të themi, bashkëkohore, për të shërbyer si far për në të ardhmen e dinjitetshme të kombit shqiptar të sunduar nga shumë lider me specie të hidrës.

Realisht, vlera e librit “Epoka e Adem Demaçit” mund të shihet më qartë nëse Lexohet si parahyrje në leximin e veprës kapitale: “Dosja Demaçi”. Madje, po te shkelet teksti me laps do të shihet qartë se Profesor Hakif Bajrami sikur nuk e ka shkruar librin vetëm me qëllime parësore, të ndriçonte veprën e Madhorit historik të kombit shqiptar, as vetëm për të ndriçuar “Epokën e Adem Demaçit”. Shihet se pati një qëllim largvajtës: Duke nxjerrë para vetës një personalitet shqiptar, të pashoq midis të gjallëve, duke ia bashkuar personalitetet e kohës së tij e të më vonshëm, që u flijuan për lirinë edhe për të ardhmen e dinjitet­sh­me të popullit shqiptar, u përpoq të vijëzoj Liderin që i duhet kombit shqiptar, edhe aktualisht i copëtuar e i nëpërkëmbur nga armiqtë she­ku­llor dhe nga paaftësia e pavendosmëria e miqve aktualë të kombit shqiptar.

Në këtë drejtim, Profesor Hakifi, do të konstatojë: “Lideri është personi komplet që ka karakter të pathyeshëm, që e njeh detyrën deri në pro­fe­sion të përkryer, që ka kompetenca dhe ambicie për t’i realizuar vizionet, i cili nuk merret fort me faktin se si të punojë, por me impe­rativin çka të punojë, duke e vërejtur realitetin me një guxim që vroj­ton jo vetëm me sy, por vëren dhe punon me syrin e mendjes dhe të shpirtit për të bërë ndryshime kolosale në dobi të kombit dhe të njerëzimit”.

Shumë nga këto  virtyte të Liderit për ta vënë popullin në lëvizje për një të ardhme të denjë, natyrore, të kombit shqiptar, historiani Hakif Bajrami, veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, i gjeti në të kaluarën jetësore të Adem Demaçit, i cili në rrugën e prijësit ideologjik kombëtar shqiptar me një mendje - Për një luftë të gjatë, me sakrifica individuale e kolektive të pa çmim, por e cila paevitueshëm do të kurorëzohet me fitoren e kombit. Për vendosmërinë e Adem Demaçit për t’a kurorëzuar jetën e vet me jetën e lirisë së kombit, flet qartë Betimi i Demaçit i saktësuar në një roman autobiografik: “Nxora bllokun nga xhepi i setrës dhe lapsin nga xhepi i brendshëm dhe mbi letrën e bardhë shkrova emrin e mbiemrin tim. Mora shkrepsën, të cilën, mëzi pas tri fërkimesh e ndeza dhe vura letrën mbi  flakën e vogël. Letra mori flakë”. Vendosmëria e çelikosi, Adem Demaçin, për të qenë i papushtueshëm, inspirim për patriotët e gatshëm të sakrifikojnë për lirinë e kombit.

Vërtet, historiani i frytshëm, Hakif Bajrami është i vetëdijshëm se Li­de­ri është edhe farkëtim i kohës, megjithatë ndihet i dëshpëruar skajshmërisht: ”E them me kompetencë, se sot shqiptarizmi është mbushur me demagogë dhe per­so­nalitete të korruptuar, saqë edhe një herë po të lindte Demaçi, nuk do të kishte çka të bënte. Çështja shqiptare i ngjason asaj vjershës së Vaso Pashës....”!?!

Edhe Unë ndihem i frustruar, ndaj këtë paraqitje do ta përmbyllja me një kërkesë sublime të krahut tim, të përhershëm, edhe kur nuk mund ta shihja as fundin e Greminës në buzë të së cilës jetoja krenar: “...Ka ardhur koha që idealin e ardhmërisë mos ta shprehë vetëm Lideri, por atë ideal ta shprehë populli për t’u bërë kombi shqiptar ai që është dhe duhet të jetë!

Suksese të reja në dije, Profesor Hakif!

Prishtinë, 23. 06. 2010

 

...

 

powered by Beepworld