Në 30 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka
DËSHMI TË KOHËS PËR LNÇKVSHJ-në

|
Përkujtim - me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Metush Krasniqit - viganit të Shqipërisë Etnike.
|
|
Në 13 vjetorin e zhdukjes pa gjurmë
të veprimtarit Xhavit Haziri
![]() ![]() ![]() |
|
DËSHMI TË KOHËS
… |
|
DËSHMI TË KOHËS
….
… |
|
DËSHMI TË KOHËS
.. |
|
DËSHMI TË KOHËS
… |
|
DËSHMI TË KOHËS PËR ORGANIZATËN PATRIOTIKE „LNÇKVSHJ“
( Ilustrimet i përgatiti moderatori i pashtriku.org - 07. 11. 2010 ) |
|
Intervistë me atdhetarin dhe veprimtarin e
palodhur Sylejman Qyqalla
DËSHMI NGA VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS PATRIOTIKE LNÇKVSHJ
![]() Intervistoi: Mustafë Krasniqi
=====================================================
“Ndodhë shpesh që dallgët e jetës shumë njerëz i shndërrojnë në ”heronj të heshtur” kjo ndodh nga vetë modestia personale e atyre që iu përkushtuan ardhmërisë, që në as një rast nuk janë përpjekur, me thonj e bërryla të imponohen për emër, por ashtu të thjeshtë me shpirt të çlirët, vepronin, punën dhe luftën e tyre e bënin pa daulle, në mënyrë më të ndershme, vetëm e vetëm për çështjen Kombëtare dhe luftën e saj të drejtë” . (Sylejman Qyqalla)
Shpesh kombit shqiptarë në tërësi dhe veçmas pas luftës së dytë botërore iu janë shtuar së tepërmi torturat, tortura më antinjerëzore, pa kursyer as një vlerë të qenies njerëzore. Këto dallgë të çmendura, gjithnjë mbi fatin e shqiptarit, e ndonjëherë për fat të keq edhe nga vet disa njerëz që i kishin frikë jetës, apo që lakmonin të jetonin në kurrizin e atyre që kishin rënë ndesh me të padrejtën që i vije shqiptarit, me ato elemente që kërkonin zhdukjen e një lëvizje përparimtare e atdhetare. Mirëpo sa herë që janë përpjekur ta zhdukin këtë lëvizje, kjo aq herë më shumë është sforcuar dhe kalitur në metoda më të ndryshme që një ditë t’i bie armikut mu në ballë dhe kjo ndodhi me lindjen dhe rezistencën e UÇK-ës. Ne për ta nderuar tërësinë e Shqipërisë nuk mundëm të heqim dorë nga ata që ia kishin falur rinin, jetën, gjakun kësaj tërësie që një ditë të jetë Shqipëri e lirë, Shqipëri e tërësisë, apo Shqipëri Etnike dhe mu për këtë shoh si të obliguar që këtë pjesë të shoqërisë që është sakrifikuar për të sotmen dhe për të ardhmen ta nderojmë me respekt që e meriton, sepse duke e nderuar këtë shtresë e nderojmë gjakun e rënë, e nderojmë Kombin, e nderojmë të bukurën Shqipëri.
Për lexuesin kam nderin që t’ua ofroi intervistën me njeriun e sakrificës, njeriun që ende pa lindur, vite shumë më parë iu kishte shkruar fati që posa të lind, të lind në një familje të përndjekur, të keqtrajtuar, por asnjëherë të gjunjëzuar, gjithnjë përballë rrebesheve të qëndronte me një krenari.
Pyetja: I nderuari z.Qyqalla, Ju vini nga një familje e persekutuar, deri më çlirimin e Kosovës, a mund të na thoni për jetën dhe familjen tuaj?
Sylë Qyqalla: Po kam nderin që të flas me ju dhe njëherë jeni ndër të parët që keni filluar t’i respektoni Ish të burgosurit, dhe kjo për mendimin tim është një nder i madh. Për jetën time do të flas edhe pse nuk kam menduar të flas për vetën, sepse më dukej se ne po i rrisim bërrylat gjë që ne e kemi pasur një obligim si çdo qytetar ta kryejmë këtë obligim ndaj Kombit.
Pyetja: Ju e thoni me një modesti, duke u nisur nga vetja, por realisht të gjithë nuk e kanë kryer këtë obligim, po edhe ndoshta ka pasur të tillë që e kanë injoruar këtë obligim?
Sylë Qyqalla: Shiko ka mjaftuar që dikush ka këmbëngul në këtë qëndrim dhe në saje të kësaj sakrifice kemi arritur ndoshta jo atë që e kemi kërkuar, por besoi se e ardhmja është e mbarë. Ndërsa unë vijë nga një familje me një histori të dhimbshme, që në fakt kjo histori aq sa ishte e dhimbshme, aq na kishte kalitur dhe fisnikëruar më shumë për të qenë të lidhur ngushtë me lirinë e atdheut. Nuk mund të flas për jetën time, e të mos flas edhe për historinë e fshatit tim, fshat i cili ka rrënjët andej nga molla e kuqe, fshatë i ardhur nga Toplica dhe fshatrat për rreth, që sot me një fanatizëm të thellë i ruajnë emrat dhe mbiemrat e tyre. Kjo dhunë bëhej më qëllim spastrimi të shqiptarëve nga trojet e veta, më 1875-1878. Ndërsa karakteristik e këtij fshati ishte ajo që të bashkuar ashtu thua siç kanë qenë në Toplicë me rrethinat e saja janë vendosur në Bardhë të Madh dhe brez pas brezi, brezërive u kanë lënë trashëgimi si një testament, historinë gojore për origjinën, poashtu edhe këngët e traditën, e kanë ruajtur që brezat e ardhshëm të mos e harrojnë gjenezën e tyre, dhe në anën tjetër të jenë të vetëdijshëm se kush ishte armiku i tyre që ua solli këtë fatkeqësi këtyre njerëzve, dhe kush ishin ata që i përzunë nga toka stërgjyshore.
Sa i përket jetës sime dhe të familjes, me bindje të thellë e them se kam qenë i ndikuar drejtpërdrejt prej tim ati, nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim se vetë rrëfimet e tim ati për mua do të ishin si frymëzim dhe shtytje për hakmarrje kundër një krijese antinjerëzore. Im atë nuk më fliste vetëm për katrahurat personale, madje do të thosha se kishte një modesti ndoshta dhe të tepruar, se për vete nuk fliste, e të mburrej nuk e kishte zakon. Unë isha, si të them, fëmija më i dëgjueshëm i babait dhe në saje të edukimit të tij, i hyra të njëjtës rrugë se vetë reaksioni antishqiptar i Jugosllavisë e prodhoi revolucionin shqiptar, se logjikisht askujt në botë nuk ia ka ënda vdekjen ose burgosjen, se burgu nuk është kopsht me lule. Pra brumin e kam pikërisht prej babait RAMIZ QYQALLA, dhe jam shumë krenar që jam biri i tij sepse prej tij mësova dashurinë e atdheut, ndershmërinë, besnikërinë, drejtësinë, shpirtin e mosdurimit të shtypjes e nënshtrimit.
Një ndikim të madh te unë pati edhe nëna ime Hajrije, e cila edhe ishte e burgosur në vitin 1947 me të gjithë fëmijët. Pasi kreva shkollën teknike në “19 Nëntor” të Prishtinës ,u inkuadrova në Fabrikën e Amortizatorëve, ku punova tre vjet dhe, meqë kisha mungesë njohurish të përgjithshme po dhe një etje të jashtëza -konshme të përgjithshme për kulturën, iu qepa studimeve në Shkollën e Lartë Pedagogjike po në Prishtinë . Pra nuk e kisha të vështirë se çfarë literature të zgjedhja se edhe për literaturë kisha mësuar prej babait, se vjershat e Pashko Vasës, të Gjergj Fishtës, të Cajupit, vjershën “Tre heronjtë e Shkodrës”, për Dedë Gjo Lulin, për Azem Bejtën, e ligjërata të përgjithshme të thesarit popullor, për herë të parë prej tij i kisha dëgjuar si recitim dhe këndim. Nga ana tjetër, e quaj fat që gjatë studimeve ligjërues e pata një plejadë të tërë atdhetarësh, si Rexhep Hoxha, Demush Shala, Ahmet e Ramiz Kelmendi, Mazllum Hasimja, Idriz Rexha, prej të cilëve mësova shumë jo vetëm për profesionin e zgjedhur të studimeve (Gjuhë dhe Letërsi Shqipe ), por mësova shumë për jetën shoqërore dhe mora guxim dhe më shumë, ngase isha integruar në rrjedha të regjimit edhe më shumë.Pra shkallë-shkallë po mësoja filozofinë e një shteti barbar që e kishte ngulfatur një masë të gjerë shqiptare e që duhej organizim kolektiv për një revolucion që do ta tundte atë krijesë artificiale me toka të huaja që quhej JUGOSLLAVI.
Pyetja: I nderuari Sylë, Ju në atë kohë keni pasur edhe në veprimtari të bujshme Kulturore?
Sylë Qyqalla: Më dëshirë e bëja, sa isha në Shkollën e Lartë Pedagogjike pata formuar grupin letrar “Naim Frashëri”, ku kisha përkrahje të madhe nga profesorët e mi të nderuar, që i ceka më parë, por kisha përkrahje edhe nga shumë persona zyrtarë të kulturës, ku atëherë aktivitetet i zhvilloja në Qendrën e kulturës ish ”Boro e Ramizi” dhe pikërisht drejtori i kësaj Qendre Nexhmedin Shehu më ka ndihmuar e përkrahur pa masë, se përmes këtij aktiviteti bëja njohje të reja të vazhdueshme që mua më hynin në punë për çështje politike. Si bashkëpunëtor të mi të ngushtë kisha bashkëstudentët si Arif Veliu, prej Korroticës së Ulët, Hajdin Hetemi i Krasaliqit, e shumë djemë e vajza të tjera që nuk po më kujtohen. Një veprimtari të dendur në fushën e kulturës e zhvilloja edhe me Emin Gashin e nderuar që ishte shef i një reparti në filialin e Kishnicës që ishte në Prishtinë, ku bashkë dhe me Ruzhdi Gashin, me Nuhiun, po dhe me nxënësen e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, Havishe Dërvodeli, ku ushtronim inskenime dramaturgjike; në këtë grup ishte dhe Asllan Qyqalla i Bardhit të Madh .
Në programin e Lëvizjes shtrohej me të madhe në vazhdimësi sidomos edukimi i rinisë sonë. Pra edhe çështja e dashurisë nuk ishte temë tabu, po luftonim që te të rinjtë dashuria të jetë në frymë të shëndoshë: besnike e ndershme, e përjetshme. Andaj me përkushtim të madh e luftonim zvetënimin e rinisë sonë, ndërkohë që regjimi jugosllav përpiqej me të gjitha mjetet në rininë shqiptare të fuste të gjitha të palarat njerëzore, prandaj të gjithë veprimtarët antijugosllavë ndiqeshin rreptësisht ngase nuk u shkonte uji në mullirin antishqiptar.
Pyetja: Në fillim flisnin me një admirim të madh për babën tuaj, Ramiz Qyqallën, meqë edhe unë e njohë për atdhetar të madh, po për opinion disi është një njohje jo e bollshme, atëherë na thoni kush ishte Ramiz Qyqalla?
Sylë Qyqalla: Nuk do të pajtohem me pjesën e dytë të pyetjes, sepse për rrethinën dhe fshatin e Bardhit, ishte dhe ka mbetur si një figurë atdhetare, por edhe i respektuar nga të gjithë. Ramiz Qyqalla që në fëmijëri kishte një jetë jo të zakonshme si fëmijët e tjerë, qysh në moshën nëntëvjeçare, i vdes i ati, Rizahu dhe u detyrua të ndeshet me stuhitë e jetës, iu deshtë që të mbetet fëmijë i pa fëmijëri, fëmijë i burrëruar. Atëherë kishte ambicie të kuptonte çdo gjë që duhej të dinte një burrë, u bë burrë i pjekur para kohe dhe së shpejti e kuptoi pse jeta e një populli, e sidomos popullit të tij po përjetonte atë torturë makabre dhe para se gjithash pse ky popull po vuan aq shumë, e nuk e ka të drejtën për të qenë i lirë si popuj tjerë!?
Me të gjitha këto pyetje që ia kishte shtruar vetës, tash nuk e kishte vështirë ta kuptonte se kush ia kishte zënë diellin, kush po ia merrte frymëmarrjen, këtij populli? Tash më ky fëmijë i burrëruar para kohe, ditë e më shumë e kuptonte se kundër kujt duhet drejtuar gishtin, e zbrazur mllefin, e në këtë moshë të re ai kishte ndarë shapin nga sheqeri, dhe gjarprit ia kishte zbuluar këmbët. Ndaj, mu për këtë u bë njëra ndër figurat më të papërshtatshme për sistemin më famëkeq të asaj kohe dhe kohës së mëpastajme, për pushtuesin, akademinë e Beogradit dhe politikën e saj të zhbërjes së shqiptarëve. Padyshim kësaj qëndrese fanatike, si shumë shqiptarë që ishin lidhur drejtpërsëdrejti me luftën dhe fatin e kombit, ishte edhe Ramiz Qyqalla, që herët ishte inkuadruar në radhët e Luftës Nacionalçlirimtare, luftë e cila kishte për qëllim largimin e nazizmit gjerman, me shpresën që nga kjo luftë Kosova dhe viset tjera të okupuara do ta shohin dritën, do ta përjetojnë lirinë, do t’i bashkohen Shqipërisë amë.
Meqë nazistët gjerman humbën luftën, për shqiptarët u shpall sinjali i dytë, u nxi diell nga retë e zeza, u shumua edhe më shumë vdekja, tortura, dhimbja, zija, loti dhe djegia. Me këtë Shqiptarët u tradhtuan dhe më 1945 forcat jugosllave, e sidomos hegjemonizmi Serb realizoi qëllimin e vet, aneksimin e Kosovës në të ashtuquajturën “Kuvend i Prizrenit”. Për këtë ishin plotësisht të vetëdijshëm se si padrejtësisht ishin ndarë, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, më 1913, dhe më vonë në Konferencën famëkeqe të Versajit. Për këtë tradhti që iu bë shqiptarëve nga Jugosllavia e satrapit të Ballkanit, Titos, e në anën tjetër nga aksionet e tërbuara të forcave çetnike serbe që kishin filluar t’i ndërmarr mbi popullatën shqiptare. Atëherë luftëtarët shqiptar pa menduar fare, një pjesë e madhe e tyre, ku në mesin e atyre që kishin kthye pushkën shkaut ishte edhe Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Ymer Berisha, Ukë Sadiku, e shumë të tjerë. Ndërsa Ramiz Qyqalla (Baba im), që në fillim bie në kontakt me ta dhe formojnë organizatën NDSH dhe më formimin e kësaj organizate ata formojnë edhe çetat të armatosura me bindjen se lufta që tashmë do të filloi do të jetë një luftë e drejtë, duke kuptuar se do të jetë më e vështirë, por më shpresëdhënëse për fatin e shqiptarëve, se edhe për ta do të lind dielli, e do të vije liria. Ramiz Qyqallës në mbledhjen e Doberdolit më 1945 i ipet detyra që të formoi Komitetin Lokal dhe në saje të besimit zgjidhet kryetar i komitetit Lokal, ku si bashkë -punëtorë ka pasur Azem Jashanizën, Aziz Zhilivodën, Tahir Çelën dhe të tjerët.
Pyetja: Ju përmendët edhe Azem Jashanicën, a ka mundësi të na thoni se kush ishte Azem Jashanica?
Sylë Qyqalla: Azem Jashanica ishte një shok, mik, luftëtar dhe ushtar i Ramiz Qyqallës, këta kanë qenë të pandashëm, siç ka qenë edhe Aziz Zhilivoda, Rexhep Buqinca dhe shumë luftëtar të tjerë. Por është për t’u ardhur keq se si në kohën e sotme i ndajnë njerëzit. Për NDSH-ën është shkruar, por ndonëse dhe jo aq shumë. E unë si referues, e mohoj dhe protestoj ndaj një shkrimi ku Ramiz Qyqalla padrejtësisht paraqitet si një “Korrier”, thjesht, në mos gabofsha në një shkrim të Ramush Avdylit. Po supozoi se ai s’ka faj, por faji i mbetet ati që ia ka dhënë “shënimet” Ramushit. Duhet të jem realist, thash edhe më parë, se Ramizi edhe aktualisht e njeh rrethi i vet si njeri me diapazon të gjerë. Unë, pa kurrfarë tendence, po e përsërisë se R.Qyqalla ishte pjesëmarrës në konferencën e Doberdolit dhe nga kjo konferencë dhe një konferencë tjetër zgjidhet kryetar i Komitetit Lokal (për rrethin, diku mbi 10 fshatra) dhe kryetar i Gjykatës së Nderit i NDSH-ës, ishte njëri ndër nismëtarët e NDSH-ës bashkë me Gjon Serreqin, Ymer Berishën, Ukë Sadikun, Ajet gurgurin etj.
Pyetja: A mund të na thoni shkurtimisht se në familjen tuaj a ka pasur keqtrajtime, kur dihej gjithë kjo veprimtari?
Sylë Qyqalla: Po, Siç e dini edhe ju më 1947 Njësitet e NDSH-ës shpartallohen nga forcat Jugosllave, po edhe nga dikush që ka mundur ta spiunoi në detaje luftën e NDSH-ës, sepse edhe mund të ishte e natyrshme, sepse forcat shqiptare veçse kishin filluar të bëheshin forcë e armatosur në vete me të gjitha strukturat e duhura, po edhe si pengesë e një qëndrese ishte edhe problemi i furnizimit me armë, që ishte njëra ndër shtyllat kryesore e kësaj armate. Po edhe për keqardhje është në mesin e ushtrisë së Jugosllavisë kishte ende shqiptarë të mashtruar, apo edhe të tillë që ishin dalë kundër interesit të çështjes kombëtare. Me të gjitha këto që i përjetoi NDSH-ja, ajo shpartallohet dhe fillon një luftë e re psikologjike, e fizike. Fillon ndjekja e anëtarëve të NDSH-ës, ku një pjesë e tyre kaloi në Shqipëri, Itali, Amerikë, e gjetiu, ndërsa Azem Jashanica vritet tradhtisht në Llap, kurse Ramiz Qyqalla burgoset nga forcat shoviniste Jugosllave. Vlen të përmendet se para se të burgosej Ramiz Qyqalla, i merren pengë familja e tij dhe e vëllait të tij, Shabanit për arsye: Ramizit t’i bëhej shantazh, më qëllim që ai të dorëzohej, e të heq dorë nga lufta e shenjtë për çlirimin e kombit. T’i bëjë presion psikologjik me qëllim që masa e gjerë të mos i bashkëngjitet, mobilizohej. Të mos ketë kush të përkujdesej për furnizimin e tyre me ushqim e veshmbathje. Të fus një përçarje, që fshati dhe njerëzit e afërt të tij të largohen dhe në një formë ta përjashtojnë familjen e tij nga takimi me ta. Kjo Ramizin nuk e theu, sepse për të ishte vetëm një rrugë, Çlirimi kombëtar dhe rrugë tjetër nuk kishte, për këtë ishte këmbëngulës dhe thoshte: “se i gjallë nuk do të bie në duar të armikut”.
Është një fakt se me trimërinë është lidhur vetëm burrëria, por tek populli shqiptar, krahas burrave kanë qenë edhe nënat, motrat tona, që padyshim ishte edhe bashkëshortja e Ramizit, Hajrie Qyqalla, nëna ime, që ishte marrë pengë bashkë me fëmijë, torturohej, por ajo dot nuk e thoshte as një fjalë që mund ta shihte armiku se është ligështuar, por si një trimëreshë e matur mirë, mbahej dhe iu përgjigjet pyetjeve që i shtroheshin nga ana e UDB-ës. Këto Pyetjet të UDB-ës konkretisht kishin të bënin me vendstrehimin e Ramizit. Pyetje që tashmë në kokën e Hajrisë ishim bërë si pyetje të zakonshme “ku e ke burrin”, ndërsa përgjigjja ishte një përgjigje e menduar mirë, që ua mbyllte gojën UDB-ës, dhe u thoshte me këto fjalë: “Ju e dini mirë se neve burrat nuk na tregojnë se çka bëjnë, e nëse ju jeni aq të interesuar gjene vet!”. Nënën time, jo pse ishte nënë e imja, por vepra e saj ishte një vepër heroike dhe lirisht mund ta quaja trimëreshë, e zgjuar me kujdesin e saj e kishte ruajtur fshehtësinë e strehimit të bashkëshortit të saj. Pas tre muajsh burgim që i kishte mbajtur bashkë me fëmijë nëna dhe me kunatën, Hyrën dhe fëmijët e saj, ajo lirohet për të përjetuar edhe një vuajtje më të madhe, varfërinë. Andaj Hajria mbeti grua dhe burrë, pasi që Ramizi ishte në front të luftës, i veshur maleve të Drenicës, Gollakut, të Shalës dhe të Sharrit.
Pyetje: Para se të dalim konkretisht tek veprimtaria e juaj, a mund të na thoni ndonjë kujtim që ja vlen për lexuesin, me që ju keni qenë edhe shok, e bir i Ramiz Qyqallës?
Sylë Qyqalla: T’u them të drejtën ditë e më tepër më janë të freskat kujtimet dhe rrëfimet e babës, ato i kam ruajtur me një kujdesje të veçantë në ditarin tim. Po ç’është edhe më e duhur për lexuesin t’u tregoi se këtë ditarë më ka shtyrë edhe më shumë ta shkruajnë shokët e babës, sidomos njëri prej tyre më patë thënë Sylejman pse je aq i interesuar të mësosh për historinë e LNDSH-ës nga të tjerët kur historinë e ke në shtëpi!? Vërtetë historinë e kisha në shtëpi, kurse kujtimet janë të shumta, por ajo që më bënte përshtypje te baba ishte që më shumë fliste për shokët e tij, se sa për vete. Një kujtim që më ka mbetur dhe më përcjell tërë kohën është një tregim që e rrëfente për luftën në malin e Sharrit, ku për tri ditë kishin qenë të rrethuar nga partizanët çetnik, me që burim furnizimi me ushqim dhe armatim nuk kishin, këta detyrohen sipas babës të gjejnë një rrugë të mundshme, kjo rrugë ishte e pashpresë, më thoshte babi luftonim me jetën dhe vdekjen, pritat na i kishin zënë, ishim në shënjestër, por disi duhej të përballej edhe me ata minuta që na kishin mbetur, ne hanim çka gjenim në mal, baba thoshte: ”Unë ju drejtova shokëve me këto fjalë: shokë ne të vrarë se të vrarë, po të vdesim burrërisht, atëherë njëri nga shokët ma ktheu, po Ramiz çka të bëjmë? Unë ia ktheva, thoshte baba: “T’i marrim ca drunj të mëdhenj e t’i vendosim në shpinë që kështu të mendojnë se jemi të armatosur, në atë kohë kishim municion vetëm sa për një beret , kjo shokëve ju duk e çuditshme, por kisha studiuar mirë, sepse hëna bënte dritë, ndërsa hunjtë mbi shpin u dukshin si armë të mëdha dhe ne u radhitëm njëri pas tjetrit. Kjo është e çuditshme, posa u afruam afër partizanëve ata e hapën rrethin dhe morën ikje, e ne shpëtuam në saje të fatit”. Por rrëfente edhe për shumë luftëra dhe fitore, por e pranonte edhe humbjen, shpartallimin e organizatës, pushkatimin e shokëve më 10 prill 1947 në taukbashqe të Prishtinës, të Gjon Sereçit, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit që sipas trupit gjykues që ishte përbërë nga: Hivzi Sylejmani, Kolë Shiroka dhe Qamil Brovina, kurse përkuror Ali Shukriu. Ramiz Qyqalla ishte edhe dëshmitar i Tivarit, për këtë gjithmonë më ka thënë se shumë pak janë hulumtuar gjërat, shumë pak janë shkruar. Baba ka qenë edhe njëri ndër arsimdashësit e flaktë, dinte shumë vjersha, me pasion i recitonte vjershat si: “Tre heronjtë e Shkodrës”, “Lahutën e Malësisë”, “Oj Shqipëri...!. Këngën e donte shumë, Këndonte: Janinën, Çamërin, Prevezën, Ded Gjo Lulin, Isa Boletinin, Elez Isufin e shumë të tjera, por i këndonte me ëndje edhe këngët e Jugut. Baba e donte Shqipërinë dhe në orët e fundit 22 h me 29 nëntor 1988 vdes me dashurin e flaktë që kishte për bashkimin e Shqipërisë, Baba ka qenë shumë herë i burgosur, sa herën e fundit e lëshojnë për të vdekur në Shtëpi, por fati e deshi që ai të jetoi ende dhe të lenë pas vete një mori argumentesh që në të ardhmen do t’i hy në punë akademisë dhe historianëve tonë. U them të drejtën nuk flas me ndonjë emocion, sepse historia nuk shkruhet vetëm hajt, pa u studiuar mirë dhe besoi se kjo nisimë do të ndodhë që të shkruhet ashtu siç duhet të shkruar, pa lënë anash heroi e periudha të lavdishme që kanë ndodhur nëpër rrugën e lirisë së Shqipërisë Etnike. Por dua ta them edhe këtë: Sa herë kam marrë shënime s’kam pranuar kurrë njëanshmëri, në qoftë se është fjala për prindin tim. Nëse ai, si modest e i ndershëm, qëndron ”hero i heshtur”, unë kërkoi që në fletët e historisë ta ketë vendin e merituar. Po ky parim duhet të vlejë edhe për luftëtarët e UÇK-ës. T’i lëmë thonjtë e bërrylat, se historia ka vend për çdo shqiptar, se atdheu është i gjithë shqiptarëve.
Pyetja: A mund të thoni për veprimtarinë tuaj dhe si u njohët me atdhetarin e palodhur Ramadan Pllana?
Sylë Qyqalla: Me Ramadan Pllanën u njohëm në momentin e duhur, meqë ai kishte përvojë e kulturë të admirueshme për organizimin e njerëzve me shpirt atdhetar, prej tij mësova jashtëzakonisht për veprime sekrete, sepse e pranoj, unë isha ca i rrëmbyer dhe doja që të “BLUAJA NË DORË”, po Ramadani ishte i përmbajtur dhe gjërat i peshonte me maturi. Ne vepronim vazhdimisht në kuadër të LNÇKVSHJ, këmbenim e shpërndanim literaturë të ndaluar, ose si e quante UDB: ”LITERATURË ARMIQËSORE”, sepse për Jugosllavinë çdo gjë shqiptare ishte armiqësore dhe vetë qenia biologjike shqiptare. Ne takimet i bënim kryesisht në natyrë se atëherë të veprosh ishte tepër vështirë se edhe muret kishin veshë e sy po në mesin e shqiptarëve dhe vetë shqiptarët (të shiturit) ia zgjatnin jetën robërisë. Literaturën e shpërndanim te ata njerëz që kishim besim ose që kishte prejardhje familjare me frymë kombëtare po kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme që edhe njerëzit e painformuar fare shkallë - shkallë të inkuadrohen në Lëvizje. Ne përveç edukimit patriotik, rëndësi të madhe i kemi kushtuar edukimit të përgjithshëm të rinisë shqiptare jo vetëm në çështjen patriotike po dhe në çështjen morale. Thënë shkurt, kemi pasur rregulla, kriterium të mprehtë për sjelljet e anëtarëve, jo çdokush ka mundur të jetë anëtar i Lëvizjes, sepse ne nuk kemi qenë të prirur të kërkojmë sasi pa cilësi. Po kështu, rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edukimit të femrës sonë, se të edukosh një femër, edukon një nënë, një grua, një bashkëshorte të ndershme, një misionare, një lagje të tërë dhe në këtë fushë kemi pasur shumë sukses se i kemi pasur disa bashkëpunëtore të shkëlqyera, siç ishte Kimet Krasniqi, Magbule Qyqalla, Sadie Dugolli, Selvete Gashi - Jashanica e Bardhit të Madh, po dhe i vëllai Idriz Gashi. Ndërkohë takime kam pasur me të vëllanë e Ramadanit, me Xhemail Pllanën dhe takimet i bënim në natyrë dhe kryesisht gjatë natës ku këmbenim literaturë, si “ZËRI I KOSOVËS”, pamflete të ndryshme, vepra të Enver Hoxhës, ”Lahuta e Malcis”, shtypin periodik prej Shqipërie, si “Shqipëria e Re”,“Mësuei”, ”Zëri i Popullit”, librin “Dashuria në shoqërinë socialiste”, ”Gratë antifashiste”, ”Shota dhe Azem Galica” e shumë të tjera që kishin përmbajtje edukative të frymës kombëtare. Unë kam vepruar edhe në mënyrë të pavarur dhe kam bërë agjitacion kudo nëpër ndeja dhe kudo që shkoja mysafir, në vend të sheqerkave, fëmijëve u jepja ndonjë libër të ilustruar me flamur kombëtar ose me anekdota e fabula me temë patriotike, po edhe shkruaja ndonjë letër me përmbajtje frymëzuese. Shpesh kam gënjyer se kam qenë në Shqipëri, duke thënë: ”Shiko, po të tregoj në besë... unë në Shqipëri shkoj shpesh... Shqipëria ka bombë atomike... dhe po lëvizi Serbia, Shqipëria do ta djegë me themel...!”, dhe kjo gjë ka pasur efekt shumë pozitiv, ndaj e quaj “gënjeshtër pozitive”, sepse kishte shumë njerëz që e nënçmonin vetveten dhe forcën - POPULL, siç bëri Ibrahim Rugova me gjallje të tij dhe kurrë nuk i shërbeu popullit po partisë dhe ai Kosovën e deshi me kusht që ai të ishte në krye të saj, dhe ushtarët e të lavdishmes UÇK i shikonte me inat.
Pyetja: Kur jemi tek politika e Ibrahim Rugovës, flisni disi me një lloj emocioni!?
Sylë Qyqalla: Të them të drejtën, pak po, intimisht me të nuk kam pasur asgjë, por një që e mundon njeriun e ndërgjegjes është ajo thënia “Çka duket Kallauz nuk do”, e ne sikur kemi harruar që ai nuk e deshi Bashkimin me Shqipërinë dhe as UÇK-ën, kurse tash po vizitohet për së vdekuri, në tyrben e tij, si Titoja në Dedinje. Po cinizmi më i madh është kur po e quajnë: ”arkitekt të pavarësisë”, thuajse gjeneratat e shumta paskan bërë sehir gjithë atë luftë që e kanë bërë. Or zotërinj, Rugova nuk e shpiku DEMOKRACINË, po është shpikës i frikësimit të popullit e te poshtërimit që deshi të mbillte në Kosovë. Nga ana tjetër ai nënën Shqipëri e trajtonte si një vend të huaj, “si një fqinj”, siç thoshte shpesh.
Pyetja: Ju u burgosët pse ishit Djal i Ramiz Qyqallës, apo pse ua kanë hetuar veprimtarinë tuaj, kështu që grupi i juaj bie në burg 1979, mos gabofsha, atëherë si ju trajtuan në Burg, pasi që dihej se burgu është burg, por të burgosurit shqiptar kanë pasur një tretman më të egër se sa të burgosurit tjerë?
Sylë Qyqalla: Jo, nuk u burgosa pse isha djalë i Ramiz Qyqallës, u burgosa pse e dëshiroja lirinë e popullit tim. U burgosa më dhjetë nëntor 1979, në mbrëmje po nuk ishte një gjë e papritur për mua se ne veprimtarët si pikë të parë kishim vënë në STATUT të Lëvizjes sakrificën për çështjen e kombit, po e keqja ishte se më zunë literaturë shumë të vlefshme historiografike, politike, artistike e letrare që shumë i kisha shkruar vetë; kisha shkruar në Ditarin tim me titull “BOTA IME” dëshmi shumë të përpikta për nëpërkëmbjen e shqiptarëve si në jetën e rëndomtë, ashtu dhe në shërbimin ushtarak që unë e futja në kllapa - shërbim me dhunë. Po “dasmë pa mish nuk ka”, thotë i miri populli ynë. U dënova me katër vjet heqje lirie, por, kurrë nuk jam dëshpëruar. Më solli fati që më vonë të jem bashkë në një Burg (në Mitrovicë të Sremit ) me shokun tim Ramadan Pllana dhe e ndjeja një ngrohtësi shumë të madhe që ai ishte pranë, se Ramadani edhe në burg e ruante unitetin ndërshqiptar, duke i ofruar pranë vetes edhe të burgosurit e tjerë për vepra kriminale. Po këtë qëndrim e kisha dhe unë, shokët EmrushXhemaili, Ibrahim Shala e Hajdin Abazi andaj dhe ishim të nderuar prej të gjithë të burgosurve shqiptarët që ishin të shumtë në atë SHTËPI NDËSHKIMORE.
Para se të burgosesha bashkëpunoja me një grup nxënësish të Normales së Prishtinës, si Rrahim Rama, Raif Çela, Mehë Uka( tash dëshmor i kombit), Nexhmedin Melenica, Magbule Qyqalla (motra ime); mund të ketë qenë dhe ndonjë ndoshta dhe kërkoj ndjesë nga zemra po qe se e kam harruar ndonjë! Ky grup ishte një elitë e vërtetë, se ishin djemë të mrekullueshëm dhe punën e bënin me përkushtimin më të madh dhe ketë rrugë e kuptonin me seriozitetin më të madh. Takimet i zhvillonim kryesisht në natyrë ku këmbenim literaturë të ndryshme kombëtare, kryesisht të nënës Shqipëri që unë ua jepja herë drejtpërdrejt e herë përmes motrës sime Magbules. Unë isha i kënaqur që motra ime ishte e aktivizuar po me këta djemë që i ceka se ata ishin shembullorë ashtu siç e kërkonte kriteriumi i Rregullores së Lëvizjes. Celula e Normales quhej “Dielliri” që e pata emëruar unë.
Me Ramadan Pllanën veprimtarinë ilegale e kishim filluar ne vitet e shtatëdhjeta dhe kurrë nuk e kemi ndërprerë; madje edhe në Burg kishim vërejtje se po bënim propagandë “armiqësore” prej inspektorëve të sigurimit jugosllav, andaj meqë Ramadani ishte shtylla e grupit të burgosurve politikë që ishim nëntë vetë: Ramadani, Avdyl Lahu, Emrush Xhemaili, Rrahman Llugaxhiu, Hajdin Abazi, Asllan Loshi, Ibrahim Shala, Skënder Jashari dhe unë ( S.Qyqalla), e hoqën prej Burgut të Mitrovicës së Sermit dhe e transferuan, në mos gabofsha, në Zajeçar dhe ne shokët ndjenim një zbrazëtirë shumë të madhe. Organet e Burgut këtë nuk e bënë pa qëllim dhe pastaj për ne të tjerët pasuan maltretime e izolime të vazhdueshme, provokime, saqë qeshë detyruar të hidhesha në grevë urie (shtatë ditë) po dhe organet e Burgut bashkë me inspektorët e sigurimit të Beogradit në familjet që na vinin në vizitë bënin terror psikologjik duke trilluar për ne “se jemi çmendur”, po sidomos ndaj shokut tonë, Skënder Jashari bëhej një terror psikologjik duke e gënjyer: ”ta kemi burgosur nënën...”. Ne kemi qenë të maltretuar që nga dita e parë e hyrjes në Burgun e Mitrovicës së Sremit (më 1 PRILL 1981), madje as tualete nuk kishim të drejtë të bënim. Jam në gjendje ta përshkruaj në përpikëri gjendjen me të gjitha peripecitë që i kemi pasur, ndërkohë që të burgosurit e tjerë joshqiptarë (politikë) në burg përgatitnin edhe tema të magjistraturës, ndërkohë që neve shqiptarëve na censuroheshin edhe letrat që ua dërgonim familjeve tona në Kosovë. Këto janë vetëm disa detaje të asaj katrahure të shkaktuar prej një regjimi kanibal të Serbisë, po të ndihmuar prej hienave shqipfolëse që nuk kanë qenë të pakët. Andaj udha jonë ishte tepër e vështirë dhe duheshin sakrifica të jashtëzakonshme.
Pyetja: I nderuari Sylë, Pasi u liruat a vazhduat prapë aktivitetin tuaj?
Sylë Qyqalla: Unë pasi dola prej burgut (pas katër vjetëve) në të ashtuquajturën “liri”, edhe pse Ramadani ende gjendej në burg (se ishte dënuar me shtatë vjet) unë veprimtarinë e vazhdoja me të vëllanë e tij, me Xhemailin dhe kurrë nuk e kemi ndërprerë punën, po meqë Lëvizja jonë pothuaj u shpartallua, ne gjetëm më vonë një lëvizje gjithëpopullore LPRK-ën, më vonë LPK-ën u shkrimë në LPRK, ku rrjeti i atdhetarëve zgjerohej me të madhe. Unë në fshatin Bardhi i Madh me rrethinë u takova me disa djema, siç ishin: Xhemail Kelmendi i Sllatinës, Isak Qolli i Bardhit të Madh (gjatë Luftës së fundit - ushtar i UÇK dhe tash në TMK), Mustafë Krasniqi i Shipitullës, Idriz e Zijadin Bajçinca të Bardhit të Madh (Zijadini ish - i burgosur ), ku bënim dhe mësim-stërvitjet mu në Prishtinë në një banesë përtej Shkollës Teknike “19 Nëntori”. Më vonë qe inkuadruar dhe Zeqir Isak Berisha i Bardhit të Madh, po në fakt pothuaj e tërë kjo familje qe e angazhuar në këtë mision, pastaj Ali dhe Haki Prebeza. Për hir të së vërtetës vlen të ceket edhe Zizë - Bajqinca - Qyqalla (amvise) nënë e shtatë fëmijëve, por e përkushtuar dhe në saje të këtij përkushtimi ajo e kryente detyrën që kishte mundësi si ruajtjen e të gjitha dokumentet sekrete të mia, poashu edhe një pjesë të ditarit të jetës sime, e përkushtuar që ta ndihmoi qerren e lirisë. Ndërkaq, Idriz Bajçinca e Ali Prebeza kujdeseshin për furnizim të mjeteve mjekësore për gjendje lufte. Në këtë mision ndërkohë u futën dhe shumë veprimtarë pa formalitete po, si të thuash, në saje të ndihmesës dhe orientimit të tyre për misionin çlirimtar kombëtar, siç ishin Musë Maxhera, Riza Qyqalla, Nuhi Qyqalla (im vëlla) dhe gjatë vitit 1990 u krijua një rrjet shumë i gjerë, gati gjithëpopullor.
Unë veproja edhe në kuadër të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Kosova, ku isha sekretar në nivel komune të Fushë-Kosovës; ndërkohë më patën zgjedhur në fshat kryetar Për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ndërsa në nivel komune ishte Zijadin Bajçinca. Koordinator i shumë veprimeve sekrete ishin Isak Qolli dhe Xhemail Kelmendi, që ishte të lidhur drejtpërsëdrejti me Mustafë Krasniqin. Mustafë Krasniqi ishte edhe kryetar i këshillit të rrethit që përfshinte dy Komuna, atë të Kastriotit dhe të Fushë-Kosovës dhe një pjesë të Vushtrrisë, me një fjalë ne kemi pasur thua tërë Çiçavicën në mbikëqyrje. Ne pranonim detyrat që vinin nga Mustafa, ky ishte i lidhur drejtpërdrejti me kryesin e LPK-ës, si me Xhavit Hazirin dhe Ramadan Avdiun. Po vlen të theksohej se rëndësi të madhe ka pasur edhe vendtakimi, ku Këshilli ynë Popullor që vepronte në Bardh të Madh, takimet i mbanim në shtëpinë e Isakut, ose në shtëpinë time.
Pyetja: Pas një veprimtarie të bujshme, ju u detyruat të dilni Jashtë?
Sylë Qyqalla: Për shkak të rrethanave të disfavorshme, në nëntor 1991 mora udhën e mërgatës. Atje që në fillim u riaktivizova dhe filluam ta shtronim çështjen e atdheut edhe tek bashkatdhetarët tanë që jetonin në Suedi, në saje të kësaj veprimtarie arritëm që të inkuadrohemi edhe të integrohem, me këtë shoqëri ku jetonim dhe gjenim forma që përmes personave zyrtar të Suedisë, ta krijonim një miqësi, e në saje të punës krijuam këtë miqësi, ku me ndihmën e tyre hapëm shkollën plotësuese shqipe, formuam grupin e kulturës, ku në kuadër të tij ishte grupi muzikor dhe grupi letrar “LIRIA”, po në këtë kuadër nisëm botimin e fletushkës me emrin “LIRIA”, që e botonim në tre gjuhë (shqip-anglisht-suedisht, ku unë isha kryeredaktor i saj.
Pyetja: I nderuari Sylë, Çka mendoni për politikën në Kosovë ?
Sylë Qyqalla: Unë nuk jam njeri që gjendjen e shoh vetëm zi dhe nuk jam i prirur vetëm të kritikoj po gjithmonë, për të qenë realist dialektik duhet marrë për bazë rrethanat. Kam besim në udhëheqjen shtetërore të Republikës sonë, se në momente të duhura, ai mund edhe të rrahë gjoks si shqiptar. Vërejtja ime është se përballë Nënës Shqipëri qeveria jonë në përgjithësi ka qëndrim tepër zyrtar. Nuk duhet t'i përmbahemi politikës se ndokujt mund t'i ngelet hatri, “se ta mëshirosh gjarprin e torturon njeriun”, siç thoshte Sami Frashëri.
Pyetja: Sa e shikoni RTK’së, çka mund të na thoni për programin e saj?
Sylë Qyqalla: Vërtet e shikoi, jo gjithherë, me këtë instuticion Televiziv nuk jam aspak i kënaqur, nuk ke se çka të shikosh për ta kënaqur shijen e një shikuesi të edukuar drejt. Programi është i dedikuar për një shije pa edukatë të duhur dhe pa farë mesazhi. Ta marrim shembull “Familja moderne”. Aty nuk sheh gjë përveç hyrje - daljeve dhe përdorimin e një gjuhe rrugaçe, të kopjuar, pa farë porosie njerëzore dhe kësi krijimesh “artistike” mund të bëjë dhe një pa farë profesioni. Më vjen keq për të madhin Reshat Arbana që ra në këtë llum antikulturor. Nga ana tjetër, RTK flet tërësisht serbisht dhe aspak nuk i përmbahet sintaksës së bukur shqipe, si folësit, si gazetarët nuk kanë aspak ngjyrë të gjuhës shqipe. Kjo ndodh pothuaj në çdo emision. Më bukur flet shqip një plak pa farë shkolle sesa të quajturit “intelektualë” që përdorin fjalë të huaja që as vetë nuk ua dinë kuptimin dhe me këtë mendojnë se janë më të pranueshëm në opinion. Bëhen përkthime të fjalëpërfjalshëm prej serbishtes, që në shqip nuk ka farë kuptimi.
Për fund të intervistës?
KOSOVË, FOL SHQIP! KËNDO SHQIP!
======================================================
Flet Ramadan Pllana - veprimtar i radhëve të para të Lëvizjes ilegale kombëtare, që nga vitet 70’ta
DËSHMI TË KOHËS PËR ORGANIZATËN PATRIOTIKE LNÇKVSHJ
![]() Veprimtari Ramadan Pllana
======================================================
I nderuar atdhetar, nuk jeni i panjohur për lexuesit dhe popullin shqiptar, duke u bazuar në veprimtarinë tuaj atdhetare, por, megjithatë, duam të dimë kush jeni, nga jeni, çfarë shkolle keni kryer, çfarë pune bëni tani dhe ku jetoni?
Kam lindur në fshatin Shtruerë, ish-Shtitaricë, të Vushtrrisë më 1947. Kam të kryer fakultetin filozofik, dega e gjuhës dhe letërsisë frënge. Jetoj në Zvicër, nga tetori i vitit 1997, si emigrant politik. Punoj në një bibliotekë private, nga viti 2000.
Jeta jote-luftë, në përpjekje ilegale, në burgje dhe në mërgim?
- Po, si atdhedashës, unë kam përhapur ide për çlirim kombëtar qysh kur kam qenë i ri, por, gjatë shërbimit tim në ish-armatën jugosllave kam rënë në sy si agjitator dhe që ndikoja në ndjenjat atdhetare të të rinjve, gjatë viteve 1968-69, për çka dhe u kam rënë në sy organeve të sigurimit ushtarak, mu për këtë arsye më patën marrë në pyetje dhe më mbajtën një javë të izoluar në shkurt të vitit, 1969, për të më ngritur akuzë, për veprimtari armiqësore, sidomos për nxitje të urrejtjes nacionale e prishjes së "vëllazërim-bashkimit", në veçanti më akuzonin për propagandë me ide të Shqipërisë, sidomos pas demonstratave të studentëve të vitit 1968. Në mungesë të fakteve më liruan, por, m´i thanë këto fjalë :“mbaje mend, Pllana, Ti, kurrë nuk ke për të punuar në arsim dhe në administratë të shtetit tonë, je armik yni, sepse, të kemi futur në listën e zezë"!...
- Unë, atëbotë, nuk e kisha besuar se do të më pengonte për punë ajo "listë e zezë", por, vërtetë më doli ashtu! -Më pranuan si nëpunës në ndërmarrjen komunale "Përparimi" të Vushtrrisë, në vigjilje të vjeshtës të vitit 1969; por, ç'ndodhi: kur shkova për t'ia filluar punës, pas tri ditësh, sipas vendimit, drejtori i ndërmarrjes, Z. SH, më tha se: “është anuluar pranimi yt, nga udhëheqësia komunale”! Herën e dytë, u pranova si edukator në shkollën speciale për të verbër në Mitrovicë, dhe, përsëri më përcolli i njëjti fat, me intervenimet e sigurimit të atëhershëm komunal u largova, pasiqë m' u kishte dhënë kontrata.
Pastaj, u punësova në “Rilindje” si germëradhitës, aty, punova 6 - 7 muaj, por, shëndeti më pengonte që të mbetesha aty, dhe pas konsultimeve me mjekun e ndërmarrjes, këshillohesha që të punoja në punë administrative, larg nga plumbi, me të cilën gjë u pajtua edhe drejtori i përgjithshëm, Skënder Gjinoli, po se si ndodhi e u refuzova në mënyrë kategorike, për të kaluar në administratë. Po, drejtori më tha se, nuk mund të shpjegojë as vetë; se, si erdhi një urdhër nga lart, nuk më tregoni arsyen, ...prandaj, vendosa që të emigroj në perëndim, konkretisht, në Francë. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1971, e deri në korrik 1976 , isha në Francë.
Edukata dhe formimi i karakterit tënd në familje, në shkollë dhe në rrethin shoqëror?
- Edukata dhe formimi im atdhetar, i ka bazat në gjirin familjar si dhe në shkollën popullore të quajtur, odë shqiptare. Të parët e mi ishin shpërngulur me dhunë nga Pllana e Toplicës më 1877, nga barbarët serbo-rusë. Një nga ata, Ali Pllana, xhaxhai i gjyshit tim, kishte rezistuar, bashkë me atdhetarë të tjerë, kundër pushtimit serb dhe ishte vra te Molla e Kuqe. Të parët tanë, një familje e madhe, të shtrënguar nga dhuna serbe, me teshë e kotesh, me bagëti e pasuri që kishin mundur ta bartnin, ishin detyruar t´i lënë vatrat e tyre; kishin pasur fatin që të strehoheshin te një familje shumë bujare në Akrashticë, te Isuf Shala. Aty, kishin qëndruar tri vjet me radhë, ku do të miqësohen e njihen edhe me shumë miq e të afërm të kësaj familje, si me familjen e Isa Buletinit, që ishin fis me Shaljanët e Akrashticës, me Behë Mihaliqin dhe me familje tjera që njiheshin për veprimtari patriotike. Pas tri vitesh, ata do të shpërngulen në Shtitaricë (sot, katundi, Shtruerë ku jetojmë edhe sot. Por, kujtimet që i kam marrë nga xhaxhai i babit tim edhe sot i ruaj të gjalla në kujtesë sepse, asokohe, i dëgjoja me vëmendje dhe i shkruaja në një fletore. Dhe, sa herë që më kanë kontrolluar organet e sigurimit jugosllav, m' i kanë marrë edhe këto shënime. Megjithatë, ato i kam rishkruar kur kam dalë nga burgjet serbo-sllave. Shaban Pllana, xhaxhai i babait tim, ka qenë ithtar dhe ushtar i Hasan Prishtinës. Ai, na tregonte se gjyshi im, Selman Pllana, bashkë me një vëlla të vetin, Hasanin, kishin luftuar, si me turq ashtu edhe me serbë, po në fillim të "çlirimit" të Kosovës nga Austro-Hungaria, më 1915-16 ata ishin shkruar, bashkë me shumë anasë vullnetarë (xhynili), në ushtrinë austriake dhe nuk ishin kthyer kurrë. Po, pastaj, në fjalimet e hapura që kishte mbajtur Hasan Prishtina në Vushtrri e në shumë qytete tjera në Kosovë e kishte stopuar këtë mobilizim... Dëshiroj, t´i shpalosi disa vargje të ëmbla që i ka pasur xhaxhai, edhe të tjerët, nga Hasan Prishtina: “Gjuhë e ëmbël, gjuhë kombëtare,
je e ëmbël për shqiptarë”!
Vlen të theksojë se Zejnullah Begu, kushëri i Hasan Prishtinës, që kishte çifligjet në Balinc (sot Balaj), ishte prijës i luftëtarëve të fshatrave të Vushtrrisë. Ai kishte lidhur edhe miqësi familjare me pllanajtë e Balincit. Më vonë, gjatë kohës së kaçakëve, në familjen tonë do të rrinë ilegalisht shumë luftëtarë të Azem Bejtës, Mehmet Konjuhit, Kadri Gërguri etj. Gërgurët, ishin dajallarë dhe bashkëluftëtarë të gjyshit tim, edhe nga Kadriu, gjithashtu, kam mbledhur shënime. Vlen të theksojë gjithashtu, se, edhe Smajl Gërguri nga Llukaci i Burimit ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Hasan Prishtinës. Edhe Ajet Gërguri, kryetari i NDSH-së, ka qenë i njohur në familjen tonë. Babai im e dinte mirë mënyrën e arrestimit të tij nga OZNA, te mehanët e Akrashticës, të cilët gjithashtu i kishim miq familje. Babai im, Islam Pllana, bashkë me shumë kushërinj e miq, ka qenë ushtar në Brigadat e Shaban Polluzhës.
- Pastaj, fillet e edukatës arsimore kombëtare, i mora në shkollën fillore në Pantinë, pikërisht, nga pinjollët e Isuf Shalës nga Akrashtica, nga djemtë e patriotit të devotshëm, Hajrullah Shala, Ramadani, Sefedini dhe Aliu. Ramadan Shala, bashkë me Mustafë Venharin nga Vushtrria, ishin pishtarët e parë të atdhetarizmit dhe të arsimimit të mirëfilltë të anës sonë, madje edhe më gjerë, ishin ata, që do t´i lëshonin rrezet kombëtare në mendjet dhe zemrat e shumë shqiptarëve. Ndaj, edhe Adem Demaçi, simboli i Rezistencës sonë, e kishte njohur Ramadan Shalën në Beograd, ( ishin shokë studimesh), prandaj, kishte lidhjet dhe bashkëpunimin më të fortë në rezistencë anti-serbe, me këto dy personalitete. Kurse, në gjimnazin e Vushtrrisë, frymëzimin më të madh e mora, bashkë me shumë shokë, nga profesori i gjuhës shqipe Xhemajl Pllana, nga Kçiçi i Mitrovicës dhe nga profesori i frëngjishtes Mensur Raifi...
Kur e ke filluar aktivitetin politik?
-Aktivitetin tim patriotik mund ta ndajë në dy periudha: në periudhën e parë, hyn veprimtaria ime spontane e viteve 1968 -1975 dhe në periudhën e dytë, hyn veprimtaria ime e organizuar, që fillon, nga viti 1975 e këndej.
Periudha e parë: Në vitin 1968, isha ushtar në shërbim të Armatës famëkeqe jugosllave në Maribor. Padrejtësitë e mëdha që bëheshin atje mbi ne të rinjtë shqiptarë, më tronditën. Nuk hezitova fare dhe haptas kërkova nga eprorët që të trajtoheshim edhe ne, njësoj si të tjerët. Kjo, u bë shkak që ata, ia filluan t´ më përcjellin hap pas hapi. Atëbotë, pos padrejtësive të shumta që na bëheshin filluan edhe provokimet e hapura në baza kombëtare. Kështu, nga provokimet që rezultonin me rrahje frontale, shumë shqiptarë ndëshkoheshin me punë të detyruar e besa edhe me burgje. Unë, me dy shokë trima e atdhetarë të dëshmuar, Mehmet Shalën nga Poneshi i Gjilanit dhe me një tetovar me mbiemrin Xhemajli (i deformuar nga sllavo-maqedonasit me prapashtesën -ovski), formuam treshin veprues dhe si qëllim kryesor kishim: mbrojtjen e të drejtave tona të barabarta me nacionalitetet tjera.
… Në saje të këmbëngulësisë sonë ramë në sy, për çka Sigurimi ushtarak më kërcënoi me burg në shkurt të vitit 1969 duke më mbajtur në hetuesi edhe një javë pas mbarimit të afatit ushtarak, sepse, ishim diktuar nga Sigurimi ushtarak, për çka më kishin kërcënuar me burg në shkurt të vitit 1969, duke më mbajtur një javë pas mbarimit të afatit ushtarak. Por, në mungesë të fakteve për çka më akuzonin, më liruan duke më shënuar në listën e zezë si armik i rrezikshëm i RSFJ-së. Nga viti 1972 deri më 1976, kam punuar në Francë. Atje, fillova të lexojë literaturë me të cilën furnizohesha nga miqtë e Shqipërisë, nga Ambasada shqiptare në Paris dhe, nga porositë që i dërgoja në libraritë dhe redaksitë e ndryshme të shtypit shqiptar në Tiranë. Të gjitha këto materiale, ua shpërndaja edhe bashkatdhetarëve që gjendeshin në qytetin Lille me rrethinë. Më 1974, fillova të dërgoja literaturë edhe ilegalisht, në Kosovë, nëpërmes shokëve që kisha. Mbaj mend, personi i parë, nëpërmes të cilit kam dërguar ilegalisht materiale të tilla, ka qenë, Hazir Krasniqi nga Gjurgjeviku i Klinës.
Periudha e dytë
Duke parë se ishin pjekur kushtet për një veprimtari të mirëfilltë të organizuar, më 10 qershor të vitit 1975, unë bashkë me vëllaun Xhemajlin dhe me tre kushërinj të mi, formuam celulën e parë patriotike, të cilën më vonë do ta quajmë Grupi revolucionar, "SHKËNDIJAT E KUQE". Grupi kishte rregulloren e vet, një lloj statuti, prej 8 pikash. Qëllim kryesor i Grupit ishte organizimi, zgjerimi dhe bashkimi i të gjitha forcave patriotike e përparimtare shqiptare nga Kosova dhe nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi për përgatitje të shkëputjes nga Jugosllavia dhe bashkim me shtetin amë, Shqipërinë. Në organizatë mund të hynte çdo atdhetarë i dëshmuar që kishte mbushur mbi 18 vjet. Simpatizuesi apo kandidati, mund të bëhej anëtar i plotë nga 6 muaj deri në dy vjet, sipas besimit dhe aktivitetit që do të tregonte. Grupi, kishte literaturën e vet obligative: historia e popullit shqiptar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Mbledhja e Bujanit, ilirët, librat historike të shkruara nga prof. Ali Hadri, Aleks Buda etj. Pastaj, "Hasan Prishtina..." dhe "Azem e Shotë Galica" të Ajet Haxhiut etj. Rilindasit, gjithashtu, ishin në listën e lekturës sonë. Grupi ynë, kishte një anëtarësi modeste dhe premtonte zgjerim të hovshëm. Me regjistrimin në Universitetin e Prishtinës, unë në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Frënge, ndërsa, Xhemajli në Gjeografi, grupi "Shkëndijat e Kuqe" do të zgjerohej edhe me anëtarë tjerë si : me Demë Jasharin, nga Strovci i Vushtrrisë, me Abdullah Hoxhën, nga Plluzhina e Drenicës, me Emin e Besnik Krasniqin, nga Dajkovci i Dardanës etj. Kishim edhe shumë simpatizues nga të gjitha anët e trojeve shqiptare. Pothuajse, me nga një apo më shumë anëtarë kishim depërtuar edhe në shtatë fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Nga ky entuziazëm dhe interesim që shihja te rinia studentore më erdhi ideja që të formonim një parti. Me këtë ide shkova në Francë dhe shkrova pamfletin me titull, "Përpara për formimin e Partisë së Punës së Kosovës" me pseudonimin, “Ilir Kosova”. Shokët francezë, më kishin ndihmuar që ta shtypja në 20 ekzemplarë dhe, poashtu, ata m' i kishin sjellë, ato, ilegalisht në Kosovë. Nëpërmjet Shefqet Jasharit, me të cilin kisha kontakt, pamfletin ua kisha dhënë për lexim edhe udhëheqjes së Organizatës "Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovë dhe e Viseve Shqiptare në Jugosllavi", që ishte në fillim të formimit. Plotësisht i bindur me konstatimin e Metush Krasniqit se; “neve na duhet një Lëvizje gjithëkombëtare, e jo parti”, pa u luhatë fare, hodha poshtë idenë e krijimit të partisë dhe broshurën e tërhoqa nga leximi dhe propagandimi i mëtejmë.
”Shkrirja”, e grupit „Shkëndijat e Kuqe“, në organizatën patriotike, LNÇKVSHJ, si u zhvillua puna në organizatë?
Siç e ceka më lartë, unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin intensifikuar radhët e LNÇKVSH-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në Lëvizje. Me këshillat dhe sugjerimet e Metush Krasniqit, kishim vendosur që anëtarët, vëllezërit apo djemtë e axhallarëve si dhe djemtë e familjeve të ngushta të mos i angazhojmë në udhëheqje, sepse, në rast të zbulimit nga UDB-eja, do të dëmtoheshim dhe ripërtërija, në rast arrestimi, do të bëhej me vështirësi. Kështu që, disa anëtarëve të afërm nga familjarët tanë, atyre, u thamë se grupi "Shkëndijat e Kuqe", pushon së funksionuari me kohë të pacaktuar. Kështu, me Demë Jasharin, kushëri i Shefqetit, Emin e Besnik Krasniqin, ( djalë i Metushit), do të kemi vetëm marrëdhënie shoqërore. Kurse, nga ana ime, vëllaun Xhemajlin e ruaja si anëtar të thjeshtë, kushëririn, Latif Pllanën, do ta angazhoja në udhëheqësi më të lartë, ndërsa, Samiun e angazhoja vetëm për bartjen e materialeve ilegale.
Si u zhvillua puna më tutje, pas kësaj “shkrirjeje”?
Po, nga Shefqet Jashari, si koordinator kryesor, shkëmbenim mendimet, udhëzimet dhe detyrat që na jepeshin nga « Komiteti Qendror » i Lëvizjes, konkretisht nga Metush Krasniqi e Sabri Novosella. Kështu, së pari ishim furnizuar me materialet me shkrim, që ata kishin në disponim. Ato, ishin: Paraprojekti i Statutit prej 15 pikash, Udhëzimi për konspiracion si dhe tekstin e Betimit. Në statut cekej shumë qartë se: qëllim kryesor i LNÇVSHJ-së, ishte çlirimi i të gjitha krahinave shqiptare të ndara e të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me shtetin amë, RPS të Shqipërisë. Format e veprimit ishin të ngjashme, me metodat e organizatave tjera ilegale, me formimin e tresheve në ilegalitetin më të thellë.. Ndërsa, për Komitetet, në fazën e formimit, parashihej që t’i kishim nga pesë anëtarë. Veprimtarinë e vazhdonim me një intensitet të paparë. Ne, ishim të bindur se, në krye të udhëheqësisë kishim simbolin e rezistencës, Adem Demaçin, sepse, vetë emri i tij ishte frymëzim për ne, ndonëse ky qëndronte në pranga në kazamatet serbo-sllave. Poashtu, ne kishim besim edhe në përvojën e ish të burgosurve për çështjen kombëtare; për liri e ribashkim kombëtar, sidomos në ata që kishin pasur rastin të vuanin burgun me bacin, Adem. Kështu, krahas ngritjes dhe aftësimit ideopolitik të anëtarëve me literaturë patriotike që i merrnim, në mënyrë ilegale, në Shqipëri dhe në shtetet perëndimore, kishim filluar t’i vëmë edhe hapat e parë praktikë. Tani, kishim filluar edhe të shkruanim pamflete e trakte kundër okupatorit shekullor serboçetnik, të cilat i shpërndanim në shkolla, në fabrika dhe nëpër institucionet kulturore dhe informative. Traktatet dhe pamfletet i shkruante Jusuf Gërvalla. Ato, i shumëzonim dhe i shpërndanim së bashku edhe me pamfletet e grupeve tjera, si të GMLK-së dhe të Grupit Revolucionar. Vlen t’i përmendim këtu, afishet që i bënin jehonë kujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, traktin kundër xhelatit Tito, me rastin e vizitës që i bënte Kosovës në tetorin e vitit 1979, dhe afishe të tjera, që i kishin shkruar Hidajet Hyseni, Kadri Osmani dhe Xhafer Shatri.
Sa anëtarë kishte Komiteti Qendror dhe kush ishin në krye të tij ?
Për hir të realitetit historik dhe sipas parimit të filozofisë latine, Verba volant scripta manent (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin.), po e shpalos edhe unë të vërtetën duke u munduar që sa më shumë të jem objektiv, pa iu nënshtruar bindjeve a presioneve të kohës apo simpatisë për ndonjë parti, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri. Po e shtoj, se: që nga mbarimi i luftës më 1999 e deri më sot nuk i përkas asnjë subjekti a partie, përveç Atdheut,- Nënës Shqipëri !
ATDHEU MBI TË GJITHA ! Kjo ka qenë dhe mbetet ideja ime e përjetshme!
Tani po flas për «Komitetin Qendror» të LNÇKVSHJ-së:
- Në fillim, ne nuk dinim për atë Komitet asgjë, sepse, në organizatë ishim shumë konspirativë. Shefqet Jashari, një atdhetar i devotshëm që kishte vuajtur edhe Golgotën e Goli Otokut, ishte kordinatori kryesor në mes meje e Sabri Novosellës dhe, poashtu, në mes meje e Metush Krasniqit. Me Jusuf Gërvallën, Shefqeti nuk njihej. Sabriu, ishte koordinator në mes nesh, d.m,th. në mes meje e Shefqetit, me Jusufin. Për vijën Metush-Sabri- Jusuf, nuk kam ditur as atëherë dhe nuk di as sot.
Në vitin 1978 në « Komitetin Qendror » pranohen edhe dy anëtarë, që kishin marrë besimin nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ-së, dhe këta:
1. “Sokoli”, alias, Jusf Gërvalla, në mesin tonë organizativ i njohur si Gazetari, i propozuar nga Sabri Novosella dhe
2. “Qemajli”, alias, Ramadan Pllana, në mesin organizativ i njohur si Studenti i Frëngjishtes, i propozuar nga Shefqet Jashari.
Më kujtohet mirë se, Gazetari ishte pranuar pak më herët se unë, sepse, Shefqeti më pat thënë, po atë vit, se e kemi pranuar Gazetarin në « Komitet » dhe ti je kandidat që së shpejti do të pranohesh. Në realitet, sipas kuptimit të normave organizative, ky «Komitet Qendror» do të mbetet fiktiv apo i imagjinuar, madje, i pasqaruar historikisht edhe deri më sot, sepse nuk do të mbajë asnjë mbledhje gjatë veprimtarisë së tij edhe pse premtohej se në një ditë më të favorshme do të realizohej një mbledhje e tillë, d.m.th. e « Komitetit Qendror ». Dhe, në bazë të veprimtarisë sime në LKÇKVSHJ, të lidhjeve të mia , të tërthorta apo të drejtpërdrejta, me këtë « Komitet Qendror », sipas të dhënave që ia jep Shefqet Jashari, revistës « Drita » të vitit 1997 , botuar në Suedi, pastaj pas bisedave, si private në Kosovë, si me telefonata me disa shokë të LËVIZJES sonë, me Sheremet Saraçin, Ismet Saraçin, Asllan Muharremin, Rexhep Ahmetin dhe Xhafer Durmishin, që të pestit të lidhur drejtpërsëdrejti me mua ose me Shefqet Jasharin apo Sabri Novosellën, kam arritur në përfundim se në këtë « Komitet Qendror » ishin :
1. Metush Krasniqi,
2. Sabri Novosella, 3. Shefqet Jashari, 4. Jusuf Gërvalla dhe 5. Ramadan Pllana. Në intervistën e përmendur Shefqet Jashari, përveç tjerash, thotë :
- “Ideja për themelimin e LKÇKVSHJ-së ka lindur në pranverën e vitit 1976, ndërkaq, pas disa takimesh me veprimtarë të shumtë në pushimet e verës (korrik-gusht) të atij viti, në shtëpinë e Sabri Novoselllës, është mbajtur Mbledhja për formimin e kësaj Organizate. Në këtë mbledhje ishin prezentë : Metush Krasniqi, Shefqet Jashari dhe Sabri Novosella. Aty, u raportua për formimin e disa celulave. Metushi, ka formuar 5 celula (prej tyre, një në Shkup), Sabriu, 3 celula dhe Shefqeti, 2 celula”. -Fakte të tjera nuk ka. Kurse, unë do të flas më vonë edhe për Komitetin e Rinisë së LKÇKVSHJ-së, si dhe për Komitetet Vendore, që i kam formuar unë, apo, grupet që do të zbulohen më vonë, nga Sigurimi shtetëror i atëhershëm jugosllav pas demonstratave të Pranverës së Madhe të vitit 1981, që u mbajtën në tërë Kosovën.
Kur dhe si u njohe me Jusuf Gërvallën?
Para se t’i përgjigjem pyetjes, dua t’i përkujtojë disa emra që rinia e atëhershme interesohej dhe mburrej po t’i njihte, qoftë ata drejtpërsëdrejti, ose qoftë ndonjë të afërt të tyre, e këta ishin: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ali Aliu- Kelmendi, Ahmet Haxhiu, Selman Berisha, Kadri Halimi, Hazir Shala, Zeçir Gërvalla, Ramadan Shala nga Peja, Azem Beqiri, Hyrie Hana, Kadri Kusari, Murteza Nura, Zenel Strovci, Haxhi Bajraktari, Shefki Muçaj, Sabri Novosella, Selatin Novosella, Osman Dumoshi, Skënder Kastrati, Isa Kastrati, Kadri Osmani, Mustafë Venhari, Ramadan Shala nga Vushtrria, Sejdi Kryeziu, Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Isa Demaj, Meriman Braha, Zymer Neziri, Jusuf Gërvalla, Teki Dërvishi, Hyda Dobruna e shumë e shumë të tjerë. Shumë nga ne, këta persona i konsideronim si udhëheqës të Lëvizjes, qoftë të LRBSH-së, qoftë të vazhdimësisë së saj me emrin e ri LKÇKVSHJ-së. Në të vërtetë, ata, edhe ishin frymëzuesit tanë, pa marrë parasysh se ishte shkëputur pak nga zinxhiri apo bërthama e përbashkët, pas burgosjes së të madhit Adem Demaçi me shokë. Kishte nga anëtarët tanë që i njihnin ose kishin lidhje familjarë apo miqësore me ta, por nga konspiracioni ishim shtrënguar, se përveç bisedave private, të mos bisedojmë për organizimin e Lëvizjes me ish të burgosur politikë. Më vonë, qoftë në burgje apo në aktivitete apo në ndeja, do t’i njihnim gati të gjithë. Nga këta, ata që ishin me banim apo punonin në Prishtinë e rrethinë, si Jusuf Gërvalla, Ahmet Haxhiu, Zeçir Gërvalla, Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Hazir Shala, Isa Kastrati, Ali Aliu, Isa Demaj; shihej një ndikim i madh në rrethin studentor, prandaj, ata, edhe i konsideronim udhëheqës të Lëvizjes. Në këtë kuptim, kisha parandjenjën objektive, sa Gazetarin tonë, Jusuf Gërvallën, e konsideroja si bashkëpunëtorin më të ngritur në pikëpamje intelektuale e organizative të «Komitetit Qendror». Jusufin, pasiqë ishte personalitet i njohur publik, e njihja kaherë, po kurrë nuk kam pasur një bisedë a ballafaqim të drejtpërdrejtë me të. Edhe unë kisha miq në « Rilindja », sepse, kisha punuar në Germëradhitje më 1970, ku edhe kisha fituar një bursë për sektorin e Gazetarisë, kështuqë, edhe aty ishim kolegë. Si në « Rilindja », ashtu edhe në manifestime kulturore iu shmangsha takimit me të. Ai, mesiguri, nuk më ka njohur si figurë, por , jam i bindur si emër po, nëqoftëse i ka treguar Sabri Novosella. Pastaj, më vonë, gjatë manifestimeve kulturore që organizoheshin në Prishtinë, sidomos kur vinin artistë e profesorë nga Shqipëria, Jusufi do t’na jepte detyra që në mënyrë sa më masive nga rinia studentore të shikoheshin pjesë teatrale, filma, ekspozita, koncerte, etj. Më kujtohet shumë mirë; kur na kishte lajmëruar, gjithnjë në mënyrë të tërthortë, për hapjen e ekspozitës artistike, « Rilindja Kombëtare Shqiptare » në Prishtinë në vitin 1978. Dhe, neve që ishim në Lëvizje, na shtronte si detyrë të parë që ta bënim sa më masive këtë ngjarje artistike. Sa me entuziazëm e dëshirë të flaktë vinin rinia, por edhe pleq, gra e fëmijë, për t’i parë heronjtë e tyre në skulpturë, Vëllezërit Frashëri, Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, etj. Sa emocione, ngazëllime e lot do shihnim në atë ekspozitë ! Shihnim nxënës, studentë, pleq, gra e fëmijë duke shikuar skulpturat e heronjve, sikur ata të ishin të gjallë ! Kishte shumë nga ata, që edhe qanin nga ngashërimi! Pastaj, përcillnim ligjëratat e profesorëve që vinin nga Shqipëria si p.sh.. Eqrem Çabejin, Dhimitër Shuteriqin, Alfred Uçin, Hekuran Marën, Shaban Demirajn etj. Kishim lidhje të ngushta edhe me artistin e regjisorin, Pirro Mani , i cili kishte qëndruar disa muaj për t’i ushtruar aktorët e Teatrit Krahinor të atëhershëm . Më kujtohet , në ca raste, kur kishte ngjarje kulturore, sidomos me ardhjen e artistëve nga Shqipëria, kur idolët tanë nga Tirana, rrethoheshin nga admiruesit e shumtë në Sallën para Teatrit, dhe Pirroja, kur nuk ishte i sigurtë si të gjendej me ata që nuk i njihte mirë, na e shtronte pyetjen : -A e jap Titon ky ?! Dhe në bazë të përgjegjës lëshohej ose rezervohej në biseda me ta. Përveç kësaj, e kishim obligim, sipas mundësive tona, që ta përcillnim programin në TVSH-së ose ta dëgjonim Radio-Kukësin. Këto, këshilla e sugjerime na vinin nga Jusuf Gërvalla. Jusuf Gërvalla, kishte pasur nderin që të njihej me Simbolin e Rezistencës tonë, bacë Adem Demaçin qysh në vitin 1974. Nga ai vit, Jusufi nuk e kishte ndërprerë aktivitetin e vet patriotik. Ai, do të përgatiste dhe do të shkruante trakte e pamflete kundër okupatorit, trakte për çlirim kombëtar, pamflete për lirimin e të burgosurve politikë etj, që do t’i shpërndante patrioti i paepur deri në vdekje, bacë, Ahmet Haxhiu. Nga ana tjetër ai shpërndante literaturë ilegale te shokët e besueshëm. Puna dhe ndikimi i tij linin gjurmë në çdo shtresë shoqërore gjatë atyre viteve. Gjithashtu, baca Ahmet, fotografonte ngjarjet në demonstratat e 1981 për t’i sjellë jashtë vendit, etj. Vlen të përmendet, pasiqë e përmenda bacën Ahmet, se ky do t’i mbetet besnik deri në vdekje amanetit të Jusufit, gjë që tregon edhe fakti se ia sjellë mitralozin nga Zvicra Komandantit legjendar, Adem Jasharit, që do t’i dorëzohet nga Azem Syla. Baca, do të takohet, bashkë me Xhavit Hazirin e Xhavit Halitin, më 1991, me Ramiz Alinë, kryetarin e Shqipërisë. Ndoshta, e zgjata pak, por desha të tregoj se me sa atdhetarë të përkushtuar ishte lidhur në aktivitetin për bashkim e çlirim kombëtar; patrioti, poeti dhe njëri ndër pishtarët e kulturës shqiptare në përgjithësi, Jusuf Gërvalla.
A u diktua ndonjë ndryshim a aktivitet në Lëvizjen tuaj me ardhjen e “Gazetarit”, në udhëheqësinë e këtij «Komiteti»?
Po, me ardhjen e “Gazetarit” në krye të LKÇKVSH-së, në veprimtarinë tonë politike, shoqërore dhe artistike filloi të zhvillohej një shtrirje edhe më e gjerë dhe më e lartë, me cilësi më të mirë dhe me përmbajtje më të thellë, gjë që na e shtoi edhe besimin në forcat tona. Tani, letërsinë kombëtare dhe ideologjike të asaj kohe e kishim detyrë dhe obligim që ta lexonim, sepse na jepej nga një pishtar, tashmë i dëshmuar në të gjitha rrjedhat dhe ngjarjet e dekadës së viteve të ’70-ta, dhe në fillim të ngjarjeve historike të pranverës së vitit 1981… Kështu, p.sh. letërsia jonë e obligueshme ishte: “ Imperializmi dhe Revolucioni”, “Vetadministrimi jugosllav, teori dhe praktikë kapitaliste”, ”Titistët” etj, të Enver Hoxhës, pastaj, dokumente, si: “Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë”, “Kritika dhe autokritika, armë e fuqishme në duart tona”, “Mbi vetëvendosjen e popujve”, të Leninit, “Të mallkuarit e botës”, të Franc Fanonit etj. Pastaj, Jusufi u bë mbështetja më e fuqishme në punën time organizative, që kisha me rininë. Unë, do të shkruaja pamflete e punime tjera për rininë të cilat do t’i redaktonte, ai. Unë, e kisha marrë edhe detyrën për të formuar Komitetin e Rinisë, të cilin e formova më 1979. Me Jusuf Gërvallën, përparonte me vrull dhe zjarr revolucioni.
Kur e formuat Komitetin e Rinisë dhe cilët ishin anëtarët e tij?
Komitetin e Rinisë së LKÇKVSH-së, e formuam më 12 mars të vitit 1979, në Tauk Bahqe, me këta anëtarë:
1. Ramadan Pllana, absolvent i Frëngjishtes, kryetar,
2. Abdullah Hoxha, student në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, nënkryetar,
3. Kimete Krasniqi, studente në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, anëtare,
4. Musa Neziri, student në Fakultetin Teknik (ishte djalë i motrës së Xhafer Shatrit), anëtar
dhe 5. Latif Pllana, student në Fakultetin Juridik, anëtar.
- Të gjithë këta kishin lidhje të ngushta me shumë studentë dhe shokë të tjerë dhe ishin të dëshmuar në aktivitetin e tyre, sidomos në propagandë dhe agjitacion në Universitetin e Prishtinës e gjetiu. Rrethi i tyre ishte i gjerë dhe përfshinte të gjitha trojet etnike. Kështu, Komiteti i Rinisë, filloi t´i formojë edhe degët e veta pranë Universitetit të Prishtinës. Anëtarët dhe simpatizantët tanë, të informuar në kanale konspirative, kur morën vesh se kishin Komitetin e tyre nuk mundnin ta përmbanin veten. Këndonin këngë patriotike në ndeja e manifestime, apo në dasma, që frymëzonin rininë me një entuziazëm të paparë. Më së shumti këndoheshin këto këngë: Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola, Ku i ka çadrat Mic Sokoli, Ismail Qemali, Zhujë Selmani, N´ministri të Londrës kush ka ardhë, Bajram Curr, o Bajram Curr, emri yt nuk harrohet kurrë, këngë, për Hasan Prishtinën, Ahmet Delinë, Avni Rrustemin, Azem Bejtën e Shotë Galicën etj. Pa pikë frike këndoheshin edhe këngët Enver Hoxha, heu tungjatjeta, Moj parti ta lumsha syrin, s'guxon kush me prek kufirin, Po pyet bota për Shqipërinë, sa të madhe e ka Ushtrinë, etj.
- Nuk është rastësi që në ngjarjet historike, në demonstratat e 11 marsit 1981, që do ta vërshonin mbarë Kosovën, me këto këngë rinia shqiptare do t’ua shtinte frikën në palcë milicisë dhe armatës jugosllave, madje edhe duke ua pshurrë tanket. Mjafton ta përmendim Grupin e të rinjve në Besi, afër Prishtinës, që i çarmatosën dhe i detyruan gjeneralët e Armatës jugosllave t’i ngritnin duart lartë. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të rri me disa prej tyre, me Naim Statovcin, Nagip Bllacën dhe Qerim Arifin në burgun e Nishit. - Kjo, ishte Rinia Heroike e ditëve tona, nga e cila edhe do të lindin Feniksët e Lirisë në vitet e 90-ta, UÇK-ja, e lavdishme në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari dhe shokët e tij, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën, Mehë Ukën, e shumë e shumë të tjerë që historia jonë tashmë i njeh si heronj dhe dëshmorë të atdheut. Heronjtë e UÇK-së famëmadhe, do të bëhen shpirtëzimi dhe mishërimi i luftës sonë të shenjtë për çlirim, liri e bashkim kombëtar. Jusufi Gërvalla, do t’ua jepte kushtrimin në prag të ngjarjeve të vitit 1981, nëpërmjet, “Lajmëtarit të Lirisë”; ku do të shkruante: ”Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! (…)
- Do e derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre.
- Dita e lirisë po afrohet.
- Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…
- Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt”!…
Organizimi i mëtejshëm, si vazhdonte puna organizative dhe ku formuat Komitete të Vendit ose celula etj?
-Si thashë më lartë, me ardhjen e “Gazetarit”, organizata jonë e vazhdonte veprimtarinë e vet me një intensitet dhe pjekuri të paparë në hapat tonë në luftë kundër pushtuesve e tradhtarëve të çdo ngjyre. Tani, neve Udhëheqësisë së LNÇKVSHJ-së, na u shtruan tri detyra madhore në këtë rrugë të shenjtë çlirimtare dhe për RIBASHKIM KOMBËTAR, e këto ishin :
1. Lufta dhe demaskimi i vetëadministrimit jugosllav, me sloganin e tij «Vëllazërim-Bashkim» në të gjitha format e mundshme.
2. Ngritja organizative në nivel kombëtar me formimin e celulave, komiteteve vendore, komiteteve punëtore dhe fshatare.
3. Përgatitja e protestave dhe e demonstratave për kërkesat tona politike, ekonomike dhe shoqërore si hap të parë për një luftë nacional-çlirimtare të gjysmës së popullit tonë të robëruar tradhtisht dhe me dhunë nga regjimi Tito-Rankoviq, pas Luftës së Dytë Botërore.
Një nga detyrat më thelbore që na shtrohej në rrafshin e parë ishte demaskimi i vetëadministimit jugosllav, dhe, për ta goditur sa më shumë këtë teori robëruese e mashtruese për popullin shqiptar filluam nga kreu i Lidhjes Komuniste Jugosllave, nga Tito, LK e Serbisë, LK e Maqedonisë ; poashtu, filluam ta godasim Lidhjen Komuniste të Kosovës, duke i demaskuar krerët e atëhershëm titistë, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Xhevdet Hamzën, Ali Shukriun, Sinan Hasanin, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin e shumë e shumë të tjerë, që ishin bërë shërbëtorë të zellshëm të pushtetit robërues serbo-jugosllav.
Për t’i demaskuar sa më shumë këta tradhtarë i nënvizonim, përveç tradhtive historike, fjalët e tyre denoncuese e kërcënuese që ua bënë atdhetarëve më të devotshëm me në krye simbolin e rezistencë sonë, Adem Demaçin. Ja, se çka deklaronte Fadil Hoxha, në prag të gjykimit të bacës Adem me 18 atdhetarë të tjerë, që atëbotë, u dënuan me nga 4 deri në 15 vjet, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, më 7 shkurt 1976 : - “Sa pretendentë e të pafytyrë ! Hiç më pak se “mbrojtës të interesave të popullit shqiptar”, e këndej, as katundi, as lagja e vet nuk i njeh, -veç, për të keç e për hajni”! Ky, ishte Fadil Hoxha; udhëheqësi kryesor i klikës së atëhershme titiste në Kosovë. Kurse, bashkëvendësi e bashkëveprimtari i tij i zellshëm, në lidhje me këtë gjykim do të thoshte:: “Irredentizmi shqiptar…mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist…Në këtë bazë, irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin dënime shembullore”!
- Ky, ishte Mahmut Bakalli «i famshëm», si udhëheqës i LKJ-së, së Titos. Ndërsa, Azem Vllasi nuk do të pushonte kurrë, as pushon sot, me « zbulimet » e tij prej “vizionari” titist, duke na quajtur si “stalinistë e kundërrevolucionarë”, ky, ishte dhe ka mbetur deri sot, këlyshi kanakar, i Titos.
Në këtë shërbim të « Vëllazërim-Bashkimit » jugosllav, nuk do të mbesnin mbrapa as shkrimtarë , poetë dhe njerëz tjerë të kulturës shqiptare në ish- RSFJ. Kështu, kryexhelatit Tito, do t’i thuren vepra, poezi dhe ese, nga penda shumë të njohura . Maksut Shehu, pas vdekjes së mësuesit të tij Tito, do ta shkruaj artikullin, “ Edhe pas Titos Tito” etj. Po në ato vite të ngritjes së vetëdijes kombëtare, kur ishin formuar me dhjetëra grupe patriotike nga nxënës, studentë dhe punëtorë në të gjitha trojet e robëruara, njëri nga titistët e kulturës shqiptare , Ibrahim Rugova, do të shkruante për xhelatin Tito :
-“… Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetojnë fytyrën e Titos, sepse, në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual…” etj, etj...
Ndërsa, pishtari ynë, Jusuf Gërvalla; Titon, do ta quante, “Monark, armik i përbotshëm i popullit shqiptar”, -kurse titistët shqipfolës i quante, “viktima që glorifikonin xhelatin e tyre”. - Kështu, ishte realiteti kohor e hapësinorë i viteve në fjalë. Vizionari ynë i devotshëm “Gazetari”, poeti dhe këngëtari ynë, bashkë me shokët e vet, do ta vazhdonte, deri në vdekje, veprimtarinë duke demaskuar tradhtinë, që na u kishte bërë gjatë shekujve, si nga Kongresi i Berlinit më 1878, Konferenca e Londrës më 1913, tradhtinë ndaj Mbledhjes së Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, Mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945, Shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, mashtrimet pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 etj, duke ngritur vetëdijen e popullit për çlirim nga okupatorët sllavë të të gjitha kohërave e ngjyrave, çetnike e sllavo-komuniste. Ay, do të jetë frymëzuesi dhe flamurtari i të gjitha lëvizjeve çlirimtare, në ish-RSFJ. Ay, ishte vizionari e udhëheqësi ynë, shpirti dhe mishërimi i popullit shqiptar.
JUSUF GËRVALLA, PISHTARI I LIRISË DHE
RIBASHKIMIT KOMBËTAR
Si vazhduat në fushën organizative të mëtejshme?
Po, po e përsëris se në intensifikimin e organizimit dhe angazhimit të anëtarëve e simpatizuesve apo kandidatëve të LNÇKVSHJ-së; ne, vepronim sipas sistemimit ilegal në treshe. Aty, ku formonim Komitetin e Vendit prej 5 anëtarëve , kandidatët apo simpatizuesit tanë i lidhnim me treshat e veta, kështu që, të gjithë anëtarët e Komitetit i kishin edhe treshat e veta. Neve, udhëheqësve të «Komitetit Qendror», na u kishin besuar përgjegjëgjistë, që të formonim, aty ku kishte mundësi, Komitete Vendore. Kështu , unë kisha formuar Komitetin Vendor të Lypjanit me Avdi Kelmendin si kryetar, ndërsa, kisha paraparë edhe formimin e Komitetit të Drenasit, me Bajram Gashin, në krye, Komitet të cilin ai do ta formojë pas burgosjes tonë. Poashtu, do të formohet edhe Komiteti Vendor i Deçanit, të cilin e kishte formuar Jusuf Gërvalla me Ismail Haradinajn, si kryetar. Komitete të tjera nuk do të formohen, sepse, Shefqet Jashari dhe unë, Ramadan Pllana si anëtarë të «Komitetit Qendror», do të arrestoheshim nga Sigurimi jugosllav, Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella do të arratiseshin jashtë, kurse, Metush Krasniqit do t’i kufizoheshin mundësitë e veprimtarisë ilegale pas rënies sonë në burg në Nëntorin e vitit 1979. Mirëpo, kandidatët dhe simpatizantët tanë do të organizohen apo do të sistemohen, gati në të gjitha grupet tjera ilegale që vepronin apo formoheshin në prag të ngjarjeve historike të pranverës së vitit 1981. Më vonë, do t’i ceku të gjithë veprimtarët që ishin të lidhur me ne, në mënyra: të drejtpërsëdrejti ose tërthorazi para demonstratave të vitit në fjalë. Unë, dhe Shefqet Jashari, kishim më së shumti celula në anën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës.
Celulat kryesore në kuadër të LKÇKVSH-së, në Vushtrri:
1. Celula e fshatrave Akrashticë, Mihaliç e themeluar nga Ferki Morina, student i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Xhemajl Pllana, student i Fakultetit të Shkencave- dega Gjeografisë, Asllan Muharremi, student i Fakultetit Ekonomik. Lagja e morinajve të Akrashticës, nga ishte Ferki Morina, gjithmonë ka qenë në zë për bujari, mikpritje dhe trimëri. Aty, në çdo kohë kishin gjetur mirëkuptim dhe strehim luftëtarët e njohur kundër regjimeve serbe. Me morinajtë kishte miqësi familjare, familja e Dan Derocit. Poashtu, çetat e Azem Bejtë Galicës, në këtë lagje e gjenin vendin, -pra, ishin më të sigurta për strehim dhe për përgatitje për aksione kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Aty, gjetën strehim deri në kohën e arratisjes për në Shqipëri edhe Sherif Tërstena, Ajet Haxhiu, etj.
- Në këtë rrjedhë, dhe celula jonë në këtë vend e gjeti folenë më të sigurt për veprim ilegal. Nuk është për t’u çuditur, prandaj, se morinët do të dëshmohen edhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës në Epokën e UÇK-së, gjatë viteve 1998-99. Ferki Morina, ishte marrë shumë herë në izolime, ishte maltretuar deri në rrezikim edhe të qenies së tij fizike. Herën e fundit, më 28 mars 1989, bashkë me Xhemajlin, Ferki Morina. ishte arrestuar nga pushteti serb, së bashku me mbi 200 intelektualë të tjerë, të cilët ishin izoluar në burgjet famëkëqija në Leskovc dhe në Zajeçar të Serbisë. Unë, do t’i shpëtoja atij izolimi, meqë u zgjova më herët dhe dola nga banesa ku ishim së bashku me Xhemën, Selveten dhe Drilonin e vogël, dhe, në momentin e rrethimit të banesës, bashkë me Hysen Dacin, një veteran i Lëvizjes sonë, ishim duke pirë kafen e mëngjesit në oborrin e shtëpisë së tij, në Veterrik të Prishtinës. Pastaj, do të dilja në ilegalitet në Marevc te Bislim Makolli, më vonë te Hashim Muzaqi në Bruznik dhe në fund do të shkoja në Slloveni ku do të qëndroja deri në dhjetor të atij viti, pasiqë, nuk u kishin ngritur aktakuzë të izoluarve të atij viti. Ferki Morina, gjatë aktivitetit të tij do të njihej dhe do të bashkëpunonte edhe me këta persona: Burim Zagragja, Fakulteti Ekonomik, Behxhet Ahmeti, Fakulteti Ekonomik, Zejnullah Halili Fakulteti Juridik, Skënder Salihu nga Druari, Sabit Kadriu nga Bruzniku, Shyqyri Imeri nga Dumnica e Ulët e Vushtrrisë, Rexhep Ahmeti nga Gurakuqi, ( ish’Kutllovci) i Shalës së Mitrovicës, Shyqyri Hyseni nga Smrekovnica, Avni Maxhuni nga Maxhunaj, Halim Kelmendi nga ish-Lipa, Kelmendi e Shalës, etj. Më vonë, për shkaqe shëndetësore, Ferki Morina, së bashku me Mirvete Morinën, shoqen e jetës dhe të idealit, do të detyrohet të mërgojë në Gjermani. Edhe për Ferkiun, deviza ATDHEU MBI TË GJITHA, ishte dhe do të mbetet e përjetshme.
Asllan Muharremi dhe veprimtaria e tij :
-Siç e ceka edhe më lartë, familja Muharremi nga Mihaliqi, është e njohur në popull si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e patriotit të dëshmuar për liri kombëtare, Behë Mihaliqit. Behë Mihaliqi, ishte bashkëluftëtar i Isa Buletinit, tribun popullor, njëri nga udhëheqësit e kryengritësve kundër ushtrisë turke, në anën e Rrezës ish-Artakollit të Vushtrrisë, është dënuar me varje në trekëdësh në Prishtinë nga gjykata ushtarake turke në vitin 1910. Por, gjaku i Behës nuk do të shuhet kurrë, ndonëse meshkujt e kësaj familje ishin rritur jetima. Pinjollët e kësaj familje, Skënderi me shokë të ilegales, me vëllezërit Avniun e Muharremin dhe me babain e vet, Behën, do të jenë ndër të parët që do t’i rrokin armët kundër kriminelëve serbo-sllavë, nën drejtimin e UÇK-së me Komandantin Legjendar, Adem Jasharin në krye. Asllan Muharremi, ishte njëri ndër aktivistët më të përkushtuar të Lëvizjes sonë. Që në fillim të veprimtarisë atdhetare, ai, së bashku me Ferki Morinën, do të formojnë celulën e Lëvizjes mu në Fakultetin Ekonomik. Në Universitetin e Prishtinës, Asllani do të bashkëpunojë edhe me shokët : Nysret Pllana, Behxhet Ahmeti, Bedri Selmani, Fatmir Makolli, Burim Zagragja, Ymer Dragusha, Hilmi Gashi, Xhafer Durmishi, Abdurrahman Kelmendi, Bahtir Haradinaj, etj. Me veprimtarinë dhe autoritetin e tij, Asllani do të kontribuojë më së shumti në rritjen dhe në zgjerimin e anëtarësisë së Lëvizjes. Asllani, do të zhvillojë një aktivitet të frytshëm dhe të pandërprerë edhe me Rexhep Ahmetin, nga fshati, Gurakuq, (ish-Stranë), profesor, në gjimnazin e Mitrovicës. Pastaj, Rexhepi do të kontaktojë me Mehë Ukën, (dëshmor i kombit), Fadil Shytin, Gani Baliun, Azem Musliun, Bajram e Musli Kosumin, Raif Qelën e të tjerë. Rexhepi, vepronte si aktivist i paludhur edhe me Sabri Novosellën, emigrant në Turqi dhe me Xhafer Durmishin, në Zvicër. Asllan Muharremi, së bashku me Vehbi Mujën dhe Ahmet Muratin, do ta formojnë celulën në Drenas. Punë dhe kontribut i tyre ishte edhe formimi i celulës në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik, në Mitrovicë. Ata, me makinën e Gani Sylës, shkruanin dhe shumëzonin trakte dhe pamflete ilegale dhe do t’i shpërndanin në rrethin e Drenasit e të Vushtrrisë. Por, pasi që zbulohen, pas arrestimit të Vehbi Mujës, më 7 prill të vitit 1983, Asllani detyrohet të kalojë në ilegalitet, pastaj, për shkaqe shëndetësore, arratiset nga atdheu, dhe emigron në Suedi, ku, jeton edhe sot, bashkë me familjen.
Xhemajl Pllana dhe veprimtaria e tij :
- Pas arrestimit tim, Xhemajl Pllana, -vëllau im, aktivitetin ilegal do ta vazhdojë me një maturi dhe pjekuri shumë të madhe, ndonëse do të përcillet dhe do të ndiqet hap pas hapi nga spiunët e agjentët e sigurimit jugosllavë, të kryesuar nga agjenti federativ, Burhan Prishtina. Por, ai, thuaja të gjitha lëvizjet do t’i bëjë natën me Ferki Morinën dhe me Shaban Muharremin, i cili, me veprimtarinë e vet e zëvëndësonte Asllanin. Xhemail Pllanën, shpeshherë e morën në biseda “informative” dhe në izolime, por, ai, nga këto veprime të armikut, forcohej kalitej edhe më shumë. Pastaj, në burgje do të njihet edhe me patriotë të dëshmuar, siç ishin: Ali Aliu-Kelmendi, Hazir Shala, Enver Tali, Idriz Daka, Skënder e Asllan Kastrati, Meriman Braha, Xheladin Rekaliu, Skënder Berisha, Selatin e Bedri Novosella dhe shumë të tjerë. Po në burg, me Sami Dërrmakun do të merren vesh që t’i koordinojnë veprimet dhe aksionet e përbashkëta, me OMLK-në. Për këtë, pas daljes nga burgu, Samiu, do ta lidhë me Ramadan Dërmakun. Xhema, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të tjera, me qëllim të bashkimit të të gjitha organizatave ilegale. Një zhgënjim dhe mosbesim do t’i lindë tek udhheqësia e Organizatave, -degët jashtë vendit, kur, Sabri Novosella e Xhafer Shatri, do t’ia kërkonin emrat e udhëheqësve në atdhe, veprim të cilin Xhema me shokë nuk e pranuan. Xhemajl Pllana, ishte një nga frymëzuesit dhe organizatorët e luftës së armatosur në rrethin e Vushtrisë e më larg, ai, qe ndër të parët që do ta kapë pushkën dhe do ta veshë uniformën e shenjtë të UÇK-së, heroike. Përgatitja dhe edukata e tij shumëvjeçare, do ta ndihmojnë që të përfitojë shumë shokë e miq në mbarë trojet shqiptare. Ishte, kryetari i parë i Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë. Është, një ndër themeluesit e PDK-së në Kosovë.
Celulat tjera të lidhura me Shefqet Jasharin dhe me mua:
Po e ritheksoj se: Shefqet Jashari, ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Metush Krasniqin, të cilin e kishte edhe mik, me Sabri Novosellën, Avdyl Lahun, e të tjerë. Shefqeti, ishte njëri nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e të rinjve në demonstratat e vitit 1968. Në rrethinën tonë, ai, kishte shumë autoritet te rinia dhe familjet patriotike. Kishte simpatizues në fshatrat e Rrezës (ish-Artakollit), buzë Qyqavicës, dhe, kishte shokë në tërë Kosovën. Për celulat e tij, nuk do të flas shumë. Por, meqë të dytë ishim banorë të një komune, na ndodhte që të njiheshin celulat tona gjatë aktivitetit ilegal. Shoku i tij, me të cilin do të themelojë disa celula ishte Sheremet Saraçi, nga Burimi. Ky, Sheremeti, do ta formonte celulën apo treshin me Ismet Saraqin, Mustafë Shytin dhe Xhafer Durmishin. Sheremeti, gjithashtu, do të ketë ndikim, me ndihmën e Sabriut, që të formojë celulën tjetër me Shefqet Dibranin, kryesues në Dumnicën e Krasniqes. Sheremeti dhe Shefqeti, do të kenë anëtarë të Lëvizjes edhe në Zhilivodë, Hade, Stanovc dhe fshatra tjera të Vushtrrisë dhe të Mitrovicës. Gati të gjitha celulat tona njiheshin në mes veti, por, për hir të konspiracionit, kur diktohej se ndonjëri ishte i organizuar, medoemos duhej të vepronin ndaras. Më vonë, pas burgosjes time dhe të Shefqetit, ata do t’i koordinojnë veprimet së bashku.
Po e theksoj se, me Mustafë Shytin, (dëshmor i kombit), njihesha me të qysh në rininë e hershme, qysh kur ishim nxënës të shkollës fillore në Pantinë, ndërsa, Ismet Saraçi, ishte shok imi, qysh nga gjimnazi në Vushtrri, me të cilin kurrë nuk i kam shkëputur lidhjet. Sheremeti, Ismeti dhe Mustafa, ishin, ndër të parët që do t’i kapin armët, bashkë me djemtë dhe kushërinjt e vet, posa doli në skenë e famshmja UÇK, përkrah me bashkëfshatarët e tyre, si me hysenajtë, beqirajtë, gjakajtë, pllanajtë, shaqirajtë e Pantinës etj. do t’iu përballojnë me heroizëm të paparë hordhive serbo-çetnike në fshatrat e tyre deri në fishekët e fundit. Dhe, është për t´u theksuar fakti që: në ofensivat e vitit 1999, kriminelët e ushtrisë serbe, nuk kanë mundur ta pushtojnë (pra, ta marrin nën kontroll) këtë pjesë të Rrezës, ku luftonte me heroizëm, Zona Operiative e Shalës 142 (ZOSH 142).
Ne, kishim edhe shumë anëtarë të shkapërderdhur në Vushtrri, Mitrovicë, Prishtinë, Kastriot, Drenicë e gjetiu për sistemimin e të cilëve na duhej një kohë e gjatë. Kishim Ilmi Muzaqin, një mik imi, që ishte i lidhur me Shefqet Dibranin, e të dytë njiheshin me Osman Dumoshin, me Selatin e Sabri Novosellën etj. Pastaj, Sabit Kadriun, më vonë shok e koleg imi, i cili do ta formonte një celulë me Skënder Salihun nga Druari. Rol të rëndësishëm nga Vushtrria, që do të kenë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me ne për çështjen kombëtare do të kenë edhe këta persona : Ali Jonuzi, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, Fadil Beqiri, Bedri Tahiri, Bahri Zhabari, Fehmi Dibrani, Bajram e Islam Mulaku, Gani Lahu, Bahtir Haradinaj, Enver Bunjaku, Sabit Tahiri, Avdurrahim Maxhuni, Enver Rama, Avdullah e Xhavit Zhegrova, Dinore Curri, Bali Dervishi, Jakup Shyti, Bislim Shaqiri, Fadil Mehana, Salih Salihu, Behxhet Krasniqi, Ajet Berisha e shumë të tjerë që nuk më kujtohen tani.
Deri më tani i ke përmendur vetëm «Komitetin Qendror» dhe Komitetet vendore e celulat e tyre, po a nuk kishit ndonjë komitet Qarkor ?
Pyetje shumë me vend. Në të vërtetë ne kemi biseduar edhe për formimin e Komiteteve Qarkore dhe kishim planifikuar që aty kah fundi i vitit 1979, kur kishim propozuar që ta mbanim një mbledhje të « Komitetit Qendror », të fillonim edhe në jetësimin e këtij plani. Jusufit iu kishte dhënë detyra që të formonte Komitetin Qarkor në Pejë, mua për formimin e Komitetit Qarkor të Mitrovicës, kurse, për të tjerat do t'i bisedonim në mbledhjen eventuale të "Komitetit Qendror". Kaq kam qenë i informuar nga Kryesia. Kurse, për komitetet tjera vendore a qarkore në formim nga "Komiteti", nuk kam qenë i informuar kurrë.
Po cilat ishin Komitetet e vendit dhe Celulat tjera të Lëvizjes ?
Meqenëse çdonjëri nga ne të « Komitetit Qendror » kishim simpatizues dhe celula në shumë qytete të Kosovës dhe në vende tjera shqiptare në mbarë hapësirat etnike, në ish-Jugosllavi, sipas natyrës së konspiracionit, celulat dhe simpatizantët së pari duhej të sistemoheshin në komitete vendore e më vonë edhe në ato qarkore. Siç e kam cekur edhe më lartë ne të « Komitetit Qendror », me marrëveshje, kishim kompetenca që të formonim komitete vendore në çdo mjedis ku na jepej mundësia. Në fillim, pra, ishin anëtarët që formonin celula e pastaj planifikohej për komitetet. Edhe pse në Vushtrri dhe Mitrovicë kishim disa celula dhe një numër të madh simpatizuesish ende nuk i kishim arritur t’i formojmë komitet vendore. Planifikonim që njëkohësisht, së bashku me bashkërenditjen e celulave, të formonim dy komitete vendore ( në Mitrovicë e Vushtrri), dhe pastaj të formonim Komitetin Qarkor të Mitrovicës. Këto ishin projektet sipas të cilave do të punonim më tutje në të gjitha qytetet dhe viset ku na krijoheshin mundësitë për veprimtarinë tonë.
Komiteti Vendor i Lypjanit:
Komitetin e parë vendor e krijuam në Lypjan më 1979 bashkë me Avdi Kelmendin. Në komunën e Lypjanit kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Me Avdi Kelmendin, njihesha nga viti 1978, nëpërmjet shokut tim shumë të besueshëm, Ismet Beka nga Mazgiti i Kastriotit. Avdiu, ishte një veprimtar me përvojë, kishte shumë shokë në rrethin e vet, si në Lypjan, Ferizaj, e gjetiu. Avdiu, sipas udhëzimeve të mia, kishte formuar Komitetin me këta anëtarë: Qemail Aliun, Ismail Gashin, Beqir Lecajn dhe Banush Bytyqi. Ky Komitet, kishte celulat e veta në formë të treshes me këta veprimtarë : Agim Ademin, Ali Zejnullahun, Hilmi Mehmetin, Muhamet Ademin, Ekrem Llugiqin, Bajram Vishesellën, Idriz Kelmendin, etj.
Dua të ceku se, Avdiu, njihej dhe kishte biseda për çështje organizative ilegale edhe me Sabri Novosellën, udhëheqësin e « Komitetit Qendror ». Por, për arsye konspirative, sipas vendimeve të lartpërmendura, Avdiu, kishte preferuar që të mbetet me mua në organizimin e mëtutjeshëm. Për hir të realitetit dua që t’ia përkujtoj, Sabri Novosellës, se: nuk është e vërtetë ajo, që ai e thotë, për bindjet dhe organizimin e Avdi Kelmendit, në librin “Avdi Kelmendi, jeta dhe veprimtaria atdhetare”, e përgatitur nga Zymer Neziri dhe Ismail Gashi. Aty, përveç tjerash, në faqen 231, Sabriu, pohon: “- …Avdi Kelmendi,… krijimin e Shqipërisë Etnike nuk e shihte dhe nuk e lidhte me ideologjinë që na vinte nga propaganda e PPSH-së, dhe vazhdon: - Organizata vepronte në sistemin e treshes. Me Avdiun nuk vepruam në atë mënyrë. Pra, nuk formuam celulë treshe, por vepronim së bashku, pa inkuadruar aktivistin e tretë”!!!. Pa pasur pretendime të polemizojë me Sabri Novosellën, në këtë rast atij ia shtroj vetëm një pyetje: -a thua, edhe Jusuf Gërvalla, nuk e paska parë krijimin e Shqipërisë Etnike me ideologjinë e PPSH-së, kur në ballinën e "Lajmëtarit të lirisë" e kishte vënë devizën kryesore " Me penë dhe pushkë për liri dhe bashkim me vendin amë, me Shqipërinë socialiste"...?! -Duke pasur synimin, për të dëftuar të vertëtën lidhur me ideologjinë gjatë veprimtarisë sonë në ato vite, Sabri Novosellës dua t’i përgjigjem me fjalët e Shefqet Jasharit-Strovcit: “Unë, si shumica e rinisë dhe e popullsisë së robëruar shqiptare, e kam dashur Enver Hoxhën dhe kam pasur simpati ndaj marksizëm-leninizmit të propaganduar prej tij, vetëm në bazë të ndjenjave të atdhedashurisë që kisha ndaj Shqipërisë”. ( Sh. J. - STROVCI “Pse jemi kështu siç jemi “?! faqe 283). Kurse, sa për ideologjinë dhe organizimin në formë te tresheve në Lypjan flasin vetë anëtarët e cituat e kësaj komune, prej të cilëve, unë po e citoj veprimtarin Muhamet Ademi, i cili në faqen, 84 të librit thotë: -“Vepronim sipas sistemit të treshes”.
Komiteti Vendor në Deçan:
Njëri nga grupet më të përgatitura të LNÇKVSHJ-së, që, dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen, përgatitjen dhe zhvillimin e veprimtarisë patriotike në Kosovë dhe më gjerë, deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, ishte, Komiteti i Vendit, i themeluar në Deçan, apo, Komiteti i Deçanit, siç është bërë shprehi të quhet. Jashar Salihu, ishte kryetar i FONDIT “VENDLINDJA THËRRET”, i vetmi fond që e furnizoi me armë dhe me mjete të tjera UÇK-në. Ky grup atdhetarësh të devotshëm, kishin pasur fatin historik që të njiheshin dhe bashkëvepronin me ideologun dhe vizionarin tonë të pavdekshëm, me Jusuf Gërvallën. Ata, në bashkëpunim të pandërprerë me Jusufin, që, si i strehuar politik vepronte në Gjermani, kishin marrë udhëzime për formimin e komiteteve të tjera në Kosovë. Ata formuan dy komitete, atë të Deçanit dhe të Drenasit (ish-Gllogovcit), si dhe shumë celula të tjera në vende të të ndryshme të Kosovës dhe në vise tjera shqiptare. Komiteti i Deçanit, u formua në fillim të muajit korrik të vitit 1980 nga atdhetarët dhe veprimtarët e dalluar Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu, Abdullah Hasanmetaj dhe Shkurte - Drita Kuçi. Ndër aktivistët më të dalluar të këtij Komiteti ishin edhe Nazmi Selmanaj, Xhavit Hoxha, vëlla i dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, Aliter Dervishaj, Din Ahmetaj, Muhamet Haklaj, Niman Mustafaj, etj. Komiteti i Deçanit kishte edhe shumë lidhje me anëtarë e simpatizues të Lëvizjes ne të gjitha trojet etnike shqiptare. Nga veprimtarët më të dalluar që sillnin materiale nga Shqipëria e nga Evropa Perëndimore ishin, Muharrem Dovolani, nga Dibra, Kastriot Haxhirexha, nga Dibra, Hysen Sela, nga Struga, Haxhi Berisha, nga Deçani, Remzi Ademaj, nga Prizreni, tani dëshmor i kombit, etj. Bashkëveprimtarë, me këtë Komitet kishin edhe Bislim Bajrami, Ismajl Smakiqi dhe Jakup Rexhepi, të cilët kishin formuar një celulë në Mitrovicë. Në pamundësi për t’i mbajtur në mend të tjerë u kërkoj falje atyre që nuk i kam cekur.
Grupi i Pejës:
Grupi i Pejës, është themeluar nga Jusuf Gërvalla, në vitin 1978. Udhëheqës i Grupit ishte, Hysen Gërvalla, vëlla i Jusufit. Me anëtarët e vet, Muhamur Blakaj, Malë Morina, Ahmet Haxhijaj, etj. Ky Grup, zhvillon një aktivitet të rëndësishëm. Ndër të tjera ky Grup, në rrethin e Pejës dhe të Istogut kishte shkruar parullën, « Nini rren, Ylli nuk rren !»
Grupi intelektual i LNÇKVSHJ-së, - Rrethi i ngushtë i Jusuf Gërvallës;
Ndër shokët, me të cilët kishte bashkëpunuar Jusuf Gërvalla, ishin edhe këta intelektualë : Kadri Rexha, Shaqir Shaqiri, Ragip Reçica, Muhamet Tërnava, Skënder Blakaj, Ekrem Kryeziu, Qerim Spahiu, etj.
Grupi i Gjakovës:
Grupi i Gjakovës, që ishte i lidhur me Komitetin e Deçanit, bëri një veprimtari të mirë në këtë qytet. Veprimtarët më të dalluar të këtij grupi ishin : Muhamet Rogova, Sokol Meta, Murteza Nura- Xaja, Hysen Kusari, etj.
Komiteti Vendor i Drenasit:
Në komunën e Skenderajt kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh dhe simpatizuesish me të cilët mendonim ta formojmë komitetin vendor. Përpjekjet e para për themelimin e Komitetit Vendor të Drenasit, në vitin 1979, i kam bërë unë, së bashku me Abdullah Hoxhën nga Plluzhina dhe me Halil Kuliqin nga Abrija. Mirëpo, finalizimit të kësaj pune nuk ia arritëm, sepse, në nëntor të atij viti shumica e anëtarëve të Lëvizjes u zbuluam dhe u arrestuam nga Sigurimi i atëhershëm jugosllav, shqipfolës. Prandaj, realizimin e formimit të Komitetit të Vendit në Drenas, me udhëzimet e Jusuf Gërvallës, në vitin 1980, do ta bëjnë Ismail Haradinaj, Alush Thaçi dhe Bajram Gashi.
Komiteti Qendror i Rinisë së LNÇKVSHJ-së, dhe celulat e tij:
Siç e kam shënuar më lart ky Komitet është themeluar më 12 mars të vitit 1979 me këtë Kryesi: Ramadan Pllana, Abdullah Hoxha, Kimete Krasniqi, Musa Neziri dhe Latif Pllana. Komiteti, kishte celulat e veta si dhe anëtarë e simpatizues, gati në të gjitha degët e Universitetit të Prishtinës.
- Këto celula ishin:
1. Celula e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare me këta anëtarë :
Abdullah Hoxha dhe Kimete Krasniqi, të cilët kishin shumë bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, nga të gjitha trojet shqiptare, si: Fadil Shyti, Hidajete Osmani, (vajza e Kadri Osmanit), Ibrahim Kelmendi, Demë Jashari, Emin Krasniqi, Fuat Krasniqi, Nijazi Biçku, Nexhmedin Gërguri, Fadil Mehana, Sabri Haxhiu, (nipi i Ajet Haxhiut, nga Vaganica e Mirtrovicës), Hamdi Berisha, (dëshmor i kombit), Ymer Grainca, Sami Kikaj, Hetem Kosumi, e shumë të tjerë.
2. Celula e Fakultetit Ekonomik, me këta anëtarë :
Asllan Muharremi e Ferki Morina, me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët : Behxhet Ahmeti, Nysret Pllana, Bedri Selmani, Fatmir Makolli, Ymer Dragusha, Hilmi Gashi, Burim Zagragja, Zejnullah Halili, Shyqyri Hyseni, Avni Maxhuni, Halim Kelmendi, Tevhid Azemi, Hilmi Shyti, Mirvete Haliti, e shumë të tjerë.
3. Celula e Fakultetit Juridik, me me këta anëtarë:
Latif Pllanën dhe Aziz Hysenin me pak simpatizues. Celula e Fakultetit Teknik, me Musa Nezirin, Muharrem Pllanën, Jakup Neziri dhe simpatizues të tjerë që nuk më kujtohen emrat e tyre. Celula e Fakultetit të shkencave, e cila ishte në fillim të formimit me Kimete Krasniqin dhe Kimete Dragidellën si përgjegjëse dhe kishte pak simpatizues.
Celula e Fakultetit Xehtaro-Metarlugjik në Mitrovicë, me Vehbi Mujën e Ahmet Muratin. Edhe kjo celulë kishte pak simpatizues. Celulat në Mitrovicë:
Në Mitrovicë kishim shumë anëtarë dhe simpatizues, por, unë po i përmendi vetëm celulat që ishin të lidhura me mua dhe me Komitetin e Deçanit.
a. Kjo celulë, është formuar nga unë më 1979 me këta anëtarë : Fadil Shyti, Asllan Avdiu dhe Fevzi Beqiri. Kishte edhe disa simpatizues nga fshatrat Gurbardh (ish- Ashlan) dhe Pantinë nga Vushtrria. Kurse, Fadil Shyti e Asllan Muharremi bënin aktivitet edhe me Rexhep Ahmetin e ca të tjerë në qytet dhe në disa fshatra.
b. Celula e lartpërmendur kishte lidhje me grupin e Deçanit dhe përbëhej nga këta anëtarë: Bislim Bajrami, Ismajl Smakiqi e Jakup Rexhepi, të cilët kishin formuar një celulë në Mitrovicë. Në Mitrovicë, në gjigantin industrial "Trepça", kemi pasur shumë anëtarë e simpatizues, por, nuk kishim mundur që t'i sistemonim nëpër celula apo në komitete vendore. Bënim plane për një organizim të mirëfilltë në këtë qytet industrial, por arrestimi ynë në nëntor të vitit 1979, nuk na e preu në gjysmë të rrugës edhe këtë synim.
Grupi i gjimnazistëve të Prishtinës «Diellimi» :
Një ndër grupet e të rinjve që vepronte në Prishtinë nga fillimi i vitit 1979, në Gjimnazin matematikor, në ish-Normalen, te Gërmia, quhej « Diellimi ». Anëtarë të këtij Grupi ilegal ishin këta nxënës : Mehë Uka, i cili bie dëshmor më 29 dhjetor të vitit 1996, Raif Qela, Rrahim Rama, Nexhmedin Melenica dhe Magbule Qyqalla. Koordinator në mes këtij Grupi dhe Lëvizjes ishte Sylejman Qyqalla, i cili vazhdimisht ishte në kontakt me mua. Ndër aksionet më të njohura, të këtij Grupi, ishte shpërndarja e afisheve me parullën kryesore: “Trepça punon - Beogradi ndërton” ! Në fund të parullës profesorëve shqiptarë u bëhej kjo thirrje: - “Profesorë të nderuar, ua tregoni të vërtetën nxënësve”! Këta veprimtarë do të luajnë rol të rëndësishëm gjatë veprimtarisë së tyre në Lëvizjen gjithëkombëtare, për çka do të burgosen dhe do të dënohen shumëherë nga shteti jugosllav. Organizata jonë kishte përkrahës dhe simpatizues edhe në shumë shkolla të mesme, si në mesin e profesorëve po ashtu edhe në mesin e nxënësve, por, ata vetëm i furnizonim me literaturë ilegale me qëllim që t’i angazhonim më vonë ilegalisht në aktivitetet e Rinisë së LNÇKVSHJ-së. Edhe në Fakultetet tjera kishim anëtarë dhe simpatizues të Lëvizjes. Në mesin e tyre kishte edhe profesorë universiteti që na kishin kuptuar dhe kishim marrëdhënie të mira me ata. Mirëpo, për momentet që po kalonte, Lëvizja, nga ata nuk kërkonte më shumë se sa të ndikonin në edukimin e shëndoshë dhe në orientimin e drejtë kombëtarë të rinisë. Në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për anëtar të Lëvizjes kishim, Sylejman Qyqallën, në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë kishim, Besnik Krasniqin, djalin e Metush Krasniqit, Selim Pllanën, një vëlla imi, dhe disa simpatizues tjerë. Dua të theksojë se: në «shënjestër» për t’i bërë anëtarë të Lëvizjes i kishim edhe Xhavit Halitin, Arsim Brahën, Hamdi Hajdinin, Mejrushe Hajdinin, Sabit Gashin, etj., të cilët i konsideronim patriotë të mirë. Organizata jonë ka pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me shumë atdhetarë që kanë kontribuar, që kanë kontribuar sa edhe anëtarët e Lëvizjes, po për arsye subjektive apo objektive vepronin të pa anëtarësuar. Ndër më të dalluarit e kësaj kategorie kanë qenë Ismet Beka me vëllezërit e tij Bekën, Behramin dhe motrën e tyre Fatimen. Kjo familje, ka luajtur një rol të madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare në Kastriot. Me Ismetin i kam pasur lidhjet e pandërprera dhe atë e kam furnizuar me materiale ilegale. Ai, ka ndikuar për të mirë sidomos te nipat e tij, Istref, Avni e Shukri Klinaku, si dhe te të tjerët, që, më vonë, do të kontribuojnë shumë në Lëvizjen gjithëkombëtare. Në Kastriot, këta kanë bashkëpunuar qysh nga bankat e shkollës së mesme edhe me Xhavit Hazirin, një veprimtar shumë i devotshëm, të cilin e kidnapuan kriminelët serbë më 17 shtator të vitit 1997 dhe, për fatin e tij ende nuk dihet gjë. Raporte miqësore në kuptimin e agjitacionit për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, kam pasur edhe me Shemsi Reçicën, Ibrahim Gjigollin, Sokol e Halim Kuliqin, Martin Buçajn, Idriz Mangjollin, Fahri Pllanën, Sabit Kadriun, e shumë të tjerë që tani për tani nuk më kujtohen.
Na thuani diçka më gjërësisht për parullën «Nini rren, Ylli nuk rren!» ?
Po, më kujtohet mirë. Gjatë verës së vitit 1979 revista e ilustruar shqiptare, “Ylli”, kishte shkruar një reportazh të gjatë mbi pasuritë natyrore të Kosovës, si Trepça, Elektroekonomia, Feronikeli, etj., që ishin resurse kapitale për një zhvillim të mirë ekonomik të popullit shqiptar. Mirëpo, krahasuar me ish-republikat tjera dhe me Vojvodinën, Kosova vazhdimisht mbetej nën nivelin ekonomik të tyre, për shkak se Beogradi e shfrytëzonte Kosovën si koloni të veten, duke e lënë varfërinë dhe mjerimin në popullatën shqiptare me papunësi e shfrytëzim kolonial. Revista serbe, «Nin» në reagimin e saj kishte akuzuar, “Yllin” se nuk po shkruante të vërtetën për gjendjen shoqëroro-ekonomike në Kosovë. Polemikat kishin vazhduar në disa numra. Jusufi, duke i përcjellur këto polemika, kishte propozuar që ta shkruajmë parullën e sipërpërmendur pikërisht, më 10 Korrik 1979, në përvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Shqipërisë. Unë kisha formuar një celulë të aksionit për Prishtinë, më 1979. Kjo celulë këtë parullë, do ta shkruaj në vendet publike afër Tregut të Gjelbër, Stacionit të Autobusëve e në disa rrugë tjera të qytetit të Prishtinës. Kjo parullë është shkruar edhe në trenin internacional Akropolis, që qarkullonte në vijën Athinë- Beograd-Mynhen, në të njëjtën datë, rreth orës 23, nga Xhemajl e Sami Pllana. E njëjta parullë është shkruar edhe në Pejë dhe Istog, po në të njëjtën datë, nga Grupi i Pejës. Vlen të përmendet se, Jusufi dhe unë, i kemi njohur autorët e këtij reportazhi si dhe të një reportazhi tjetër të TVSH-së mbi disa lagje të varfra të qyteteve të Kosovës. Disa persona nga Shqipëria që e kishin përgatitur këtë reportazh ; ka qenë edhe një reportazh i TVSH-së në ca lagje të varfra të qyteteve tona. Nuk më kujtohet se, a është shkruar kjo parullë edhe në qytetet tjera të Kosovës.
Ti ke qenë me detyrë edhe jashtë për të kontaktuar me organizata mike, na thuaj diçka lidhur me këtë çështje?
Meqë, unë kisha qëndruar në Perëndim për katër vite me radhë, me gjasë Jusufi kishte propozuar që të shkoja në Francë, në Zvicër dhe në Belgjikë për të kontaktuar me organizatat, të cilat unë i kisha njohur përpara, organizata këto që e përkrahnin çështjen e drejtë shqiptare në ish- Jugosllavi. Këto organizata ishin të lidhura me shoqatat miqësore me Shqipërinë. Unë, njihja 3 organizata marksiste-leniniste e disa intelektualë të pavarur, dy në Francë e një në Belgjikë, qysh nga viti 1972, me të cilat kisha marrëdhënie shumë të mira. Unë, paraqitesha me emrin, “Agim”, pseudonim me të cilin, në mesin e tyre, më thërrasin edhe sot. Me këto organizata dhe me këta miq bashkëpunoja nëpërmjet shoqatave miqësore, Miqësia franko-shqiptare, në Francë, dhe Miqtë e Shqipërisë në Belgjikë. Në mesin e miqve të Shqipërisë kishte edhe intelektualë të pavarur dhe kishte shumë prej tyre që shkonin shpesh për vizitë në Shqipëri. Me anë të tyre, si në Shqipëri ashtu edhe në Evropë, e bënim të njohur edhe problemin shqiptar në Jugosllavi. Ata, pos informatave për Shqipërinë, na sillnin edhe literaturë. Sa herë që u jepej mundësia, ata informonin për realitetin shqiptar të Shqipërisë si dhe për historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tyre të robëruara nga Jugosllavia. Dua ta përkujtojë këtu se, gjatë luftës së famshme të UÇK-së shumë nga këta miq kanë përkrahur politikisht dhe moralisht luftën e drejtë të shqiptarëve kundër pushtuesve serbo-sllavë. Bruno Campus, një nga shokët e mi, ka ndihmuar me të holla edhe Fondin “Vendlindja Thërret”, degën në Lyon. Është interesant të përkujtohet se, gjatë bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, shumë grupe majtiste, ishin kundër me pretekst se Imperializmi amerikan po e bombardonte një shtet sovran. Asokohe miqtë tanë, atyre u shtronin këto pyetje: -“Po a ishte ky imperializëm aleat yni, kur i bombardonte forcat gjermane gjatë L.D.B. në Francë dhe në shtetet e okupuara nga Hitleri?! A mos ishte okupim edhe zbarkimi i Forcave ushtarake Anglo-amerikane në Normandi?! -Të njëjtën gjë po e bëjnë edhe tani forcat e NATOS, po largojnë një okupator fashist nga Kosova! Një kasap të Ballkanit, Millosheviqin, po e detyrojnë ta ndalë gjenocidin mbi shqiptarët”!
- Franca, për herë të parë e dënoi agresionin serb ndaj shqiptarëve, më 1999 .
Në Francë, më 1979, me Brunon kontaktuam me ca udhëheqës të organizatave marksiste-leniniste dhe u pajtuam që të propagandohen padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve, nga ana e regjimit të Beogradit, në të gjitha fushat e jetës, si në ato politike, ashtu edhe në ato shoqëroro-ekonomike. Si detyrë të dytë, të cilën miku im e pranoi me përkushtim, ishte, që të njoftohej Amnistia Internacionale në Londër për dënimet, maltretimet dhe vuajtjet e të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave. U morëm vesh që, unë t'ia dërgoja të dhënat dhe ai t'i përcillte ato në Londër dhe në Gjenevë. Bashkë me Brunon, lidhur me këtë pikë, i kemi përpiluar në gjuhën frëngjishte dy letra; njërën letër e dërguam në Londër në adresë të AI, duke përshkruar dënimin dhe vuajtjet nëpër kazamatet jugosllave, si të grupit të Adem Demaçit dhe të tjerëve në mbarë RSFJ-në, dhe, letrën tjetër ia dërguam një avokateje në Gjenevë për amnistimin e Adem Demaçit me shokë. Me Brunon, kishim edhe një mik gazetar që punonte në Radio-Bruksel e që ishte informuar për kontakte të reja në lidhje me këtë temë- Kosovën. Unë, i njihja edhe disa organizata studentore nga vende të ndryshme, por atë vit nuk munda të kontaktoja me to për shkak të pushimeve verore. Edhe ata, kishin njohuri për çështjen tonë. Kam njohur shumë studentë të vendeve të ndryshme, arabe, latino-amerikane, spanjolle, aziatike, etj, që e përkrahnin çështjen tonë, pa rezerva. Sa ishe në Francë a kontaktove me emigrantë shqiptarë të organizuar kundër RSFJ-së?
Po, qysh në fillim të qëndrimit tim në Marsejë, u takova me Albert Hoxhën, alias Ali Hoxha, me origjinë nga rrethi i Tetovës. Ai, ishte agjent i sigurimit francez dhe, për ne shqiptarët që shkonim në Francë, konkretisht në Marsejë, për punë apo për studime, ai kishte ndikim dhe na ndihmonte që t’i merrnim lejet për qëndrim. Ai, nga dy butiqet që i posedonte, kishte krijuar edhe kushtet e mira jetësore. Ishte i martuar me një rrobaqepëse gjermane, e cila e kishte pasur një vajzë jashtëmartese, me të cilën jetonin në banesën e tyre në qendër të qytetit. Unë, me dy shokë, me Rexhep Krasniqin nga Prishtina dhe Zydi Allën nga Struga, banonim e punonim herëpasëherë, përkohësisht, në një qendër për të huaj. Por, për t’i fituar të drejtat për qëndrim në Francë, ne ishim të detyruar të gjenim një vend punë të pandërprerë dhe afatgjatë. Alberti, na mbante me premtime, por, në të vërtetë, asgjë nuk na ndihmonte. Bile, duke e parë se më shumë u ndihmonte bullgarëve sllavë, sidomos vajzave, me kohë, ne e humbëm besimin në të. Një ditë, Alberti më ftoi në banesën e vet dhe, pas një bisede të gjatë, më propozoi që të bëhesha anëtar i Organizatës "Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare", të cilën e udhëhiqte “Emil Kastrioti”, në Gjermani, alias, Emin Fazliu, ndërsa, ky, Ali Hoxha, degën e vet të Organizatës e quante " Lidhja e Vardarit - Besa Demokratike Shqiptare". Atë, ditë, Alberti më ndali edhe për darkë ku ma prezentoi edhe vajzën e gruas së tij. Propozimin e tij për organizim e mora me rezervë, sepse , megjithë fjalët e mira për çlirim e demokraci, Organizata ishte kategorikisht kundër shtetit shqiptar. Në gazetën e tyre ata villnin helm e vrer kundër Shqipërisë, kurse Jugosllavinë e "luftonin" formalisht, thuaja se Shqipëria i kishte të gjitha fajet pse Kosova me vise kishte mbetur nën robërinë serbo-sllave. I thashë se, vërtetë unë jam për lirinë e shqiptarëve në RSFJ, por nuk jam kundër Shqipërisë. Ditët kalonin dhe një ditë Alberti, me një buzëqeshje që nuk ia kisha parë më parë, përsëri erdhi e më mori në banesën e tij. Më shtroi drekë dhe pastaj, duke filluar me ngritjen e dollisë, hymë në dhomën e tij të punës. Aty, kishte mobile, ndër më luksozet që i kisha parë ndonjëherë, një tavolinë të madhe ku qëndronte një makinë shkrimi, një vitrinë ku kishte një kostum kombëtar, një flamur e gjëra të tjera. Pastaj, nga sirtari i një tavoline, nxori një revolver, të cilin e vuri mbi tavolinë dhe, duke i lëmuar mustaqet që i mbante “alla çurçilqe”, filloi bisedën: - “Ramadan, a po i sheh të gjitha këto që t’i tregova. Me mund dhe dije i kam fituar!..Ti, mund të fitosh edhe më shumë se unë, sepse, je i ri dhe unë do t'i mundësoj të gjitha! Qe makina e shtypit! Shkruaj e studio në fakultet! Qe, edhe revolveri, ta siguroj lejen për bartje! Edhe në njërin dyqan ti me vajzën tonë do të jesh shef, etj. Të gjitha i ke nga unë, por me dy kushte: Një, që të bëhesh anëtar i Organizatës sime dhe dy, që të martohesh me vajzën tonë, sepse, asaj i ke pëlqyer”!
-Një gjë të tillë nuk e prisja nga ai, por, përgjigjjen nuk ia lash për tjetër herë:
-“ Zotëri, njëherëpërnjëherë nuk mendoj të merrem me politikë, ndërsa për vajzën e gruas sate kam respekt, por nuk ndiej dashuri ndaj saj”!
-Me një fjalë, për t'më kuptuar më mirë, po e citoj një poezi të Çajupit:
“Jam i varfër, por i lirë, ndaj, më pëlqen varfëria” !
-Kam dyshuar se je enverist, ja, tani më tregove edhe me gojën tënde! Pse nuk shkon në Shqipëri?! Perëndimi nuk ka vend për këlyshët e Enverit, ke kohë të mendosh ende, po të lutë e mira, djalo, nuk do të pendohesh nëse bëhesh me ne! - Të falënderoj për propozimin tënd, por, ne shqiptarët kemi pasur shumë dëme nga miqtë e Serbisë, nga të gjitha qeveritë e regjimet frënge! Sa për Shqipëri, shkoj kur të dua vet, e jo kur t'më sugjerojnë të tjerët! Franca, nuk është e jotja!... Duke u larguar nga Albert Hoxha, u dhashë fund edhe raporteve me „atdhetarët e flakët", që u shërbenin agjencive të sigurimeve të shteteve perëndimore. Kur ua tregova këtë epilog Rexhepit e Zudiut, ata u mllefosën aq shumë ndaj tij, sa që ishin në gjendje ta sulmonin atë edhe fizikisht, por, unë isha kundër. Pas katër muaj qëndrimi në Marsejë, në jug të Francës, në mars të vitit 1972 u largova për në veri të këtij vendi dhe u vendosa në Lille. Aty, me ndihmën e ca shokëve francezë, gjeta punë fikse si shitës në një depo ngjyrash, ku qëndrova deri në korrik të vitit 1976, kur definitivisht u ktheva në atdhe. Në Lille, kisha zënë shokë e miq, si shqiptarë, francezë dhe nacionalitetesh të tjera. Sidomos, zura miqësi me studentë të Universitetin të Lille-es, ku kisha ndjekur një kurs për gjuhën frënge. Bashkë me disa profesorë dhe studentë francezë, në vitin 1974, kishim organizuar edhe një kurs falas për punëtorët shqiptarë që gjendeshin në Lille. Madje, njëri nga këta bashkatdhetarë, Gani Bajraktari nga Pleshina e Ferizajit, nga ky kurs do të arrijë që t’i vazhdojë mësimet edhe në Universitet.
Në librin e Sinan Hasanit "Kosova, të vërteta dhe mashtrime", pos tjerash, thuhet se ke kontaktuar me ambasadorin e Shqipërisë në Paris. Sa ka të vërteta në shkrimet e këtij libri?
Të falënderoj për këtë pyetje, sepse, asokohe, ne nuk kemi pasur mundësi që t' i demantojmë shkrimet e tij, prandaj, me pak fjalë do të përpiqem që ta vërtetoj të kundërtën e asaj që thotë Sinan Hasani, ky kuisling i njohur, që ishte, bashkë me Ali Shukriun e Kolë Shirokën, ishin ndër shërbëtorët më të zellshëm të Beogradit. Dihet se UDB-a jugosllave këta shërbëtorë i ka furnizuar me “materiale sekrete”, që me gënjeshtra dhe mashtrime të tregojnë “të vërtetën” për ngjarjet në Kosovë. Së pari, nuk është e vërtetë se, unë kam kontaktuar me ambasadorin e shtetit shqiptar në Francë dhe as që kam kërkuar ndonjëherë të kontaktojë me të. Sa më kujtohet, kur unë isha në Francë, ambasadori i Shqipërisë ishte Javer Malo. Personalisht, këtë person, kurrë nuk e kam takuar. Natyrisht, si shqiptar, unë kam shkuar edhe në ambasadën shqiptare, por kurrë, as nuk kam kërkuar dhe as kanë kërkuar nga unë që të merrem me aktivitete anti-jugosllave. Më vonë do të flas edhe për raportet e mia me Hasan Luçin, sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Paris. Së dyti, nuk është e vërtetë se, unë jam njohur me "Shoqatën e Miqve të Shqipërisë", nëpërmjet ambasadës së Shqipërisë!
- Unë, vetë i kam njohur, dhe gjithashtu i kam fituar miqtë më të mirë që i ka pasur Shqipëria në Veri të Francës dhe në Belgjikë. Ambasada shqiptare kurrë nuk e ka ditur se “Agimi”, njëri nga mërgimtarët që përfitonte më së shumti miq, isha unë. Së treti, Bruno Campus, bashkë me shokët e vet, kanë qenë dhe kanë mbetur, dashamirët më të mëdhenj të shqiptarëve në Shqipëri dhe në ish- Jugosllavi dhe se ata, pos ndaj pushtuesve serbë, asnjëherë nuk kanë vepruar armiqësisht ndaj popujve tjerë jugosllavë. Kjo, është e vërteta! Në Rube, afër Belgjikës, që nga ajo kohë, ende vepron një grup i Miqve të Shqipërisë. Kuislingu, S. Hasani rren! Në realitet ky libër është një përpjekje e kotë për mashtrime.Dua të shfrytëzojë rastin këtu, ta them të vërtetën se ambasada shqiptare asokohe na priste shumë ftohtë; në mënyrë të veçantë, mua më ka irituar pritja shumë inerte e sekretarit të parë, Hasan Luçit, i cili vetëm sa nuk na thoshte se nuk keni pse të vini te ne, nuk më ka marrë malli aspak për ju kosovarët. Por, për çudi, ai nuk e mbronte as politikën e shtetit shqiptar! Në një tubim që u organizua për njohjen sa më afër të Shqipërisë nga ana e Miqve të Shqipërisë, në Lille në vitin 1975, pyetjeve që i shtronin pjesëmarrësit, ai përgjigjej shumë shkurt dhe në mënyrë paqartë. Edhe në koktejin që vazhdoi pas mbarimit të tubimit ishte shumë intern në biseda me miq, ndërsa me bashkatdhetarët ishte mospërfillës përkundër dëshirës së tyre për të biseduar! Zeçir Bajraktari, nga Pleshina e Ferizajt, që iu kishte bashkuar brigadave shqiptare për t'i luftuar gjermanët nga Kosova deri ne Sanxhak gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur deshti të bëjë pyetje rreth tradhtisë që na e kishin bërë jugosllavët, etj; ai, as që donte ta dëgjonte. Për habinë time, kisha vërejtur që, Hasan Luçi kishte marrëdhënie të mira me një grekofil. Shumë miq ishin irituar nga qëndrimet e tij! Përkundër qëndrimeve mospërfillëse të tij, sekretari i dytë i ambasadës, (nuk më kujtohet mirë emri i tij), por, më duket se quhej, Haxhiqemajli, na priste shumë mirë. Më vonë, pasiqë Hasan Luçin e kishin larguar nga detyra e diplomatit, përsëri pata shkuar në ambasadën shqiptare në Paris, me të cilin rast u takova me sekretarin e ri, Hidajet Hoxhën, një vlonjat shumë i respektueshëm. Vetëm me të kam pasur bisedë dhe besim të hapur. Atë, edhe e kam informuar, më 1979, se i takoj organizatës patriotike LKÇKVSH-së, dhe nga ai kam pasur përkrahje moralo-politike pa asnjë kundërthënie ideologjike a vijë të luftës sonë për çlirim nga okupatori jugosllav. Hidajeti, më pati premtuar, se përveç ndihmave moralo-politike, do t' më mundësonte edhe shkuarjen në Shqipëri kur të doja unë.
Po, shkuarja jote në Stamboll për çështje organizativ, çfarë qëllimi pati?
Në muajin tetor të vitit 1979 ishim të angazhuar në shumë sfera të jetës së përditshme. Kishte filluar mësimi në Universitetin e Prishtinës. Na duhej kohë për regjistrim, përgatitje të dokumenteve të ndryshme, kërkesa për konvikte, banesa, etj. Nga ana organizative duhej të ishim më vigjilentë se përpara, sepse, në prag ishte vizita e Titos në Kosovë. Organizata jonë, ishte përgatitur për një sabotim sa më të madh të vizitës së xhelatit modern, "birit më të madh të popujve e kombësive" të RSFJ-së, sipas LK të Kosovës. Poashtu, Organizata kishte vendosur që, udhëheqësit e Lëvizjes, përveç në vendet e punës, të mos ekspozoheshim në vendet publike, por, as të mos mbylleshin pa nevojë. Si zakonisht, në këso rastesh, edhe organet e Sigurimit shtetëror i kishin shtuar radhët e veta dhe vigjilonin në çdo skutë për të zbuluar sabotuesit e kësaj vizite. Megjithatë, Organizata jonë kishte arritur fitoren: vizita kishte pësuar disfatë të plotë dhe ishte ndërprerë para kohe. Tashmë, dihet epilogu: atë vit në Kosovë miti i Titos ra në baltë për të mos u ngitur, kurrë më. Nuk po zgjatem më shumë. Këtë hyrje desha ta lidhi me shkuarjen time në Stamboll. Pikërisht, në këtë kohë Shefqet Jashari, me propozim të Sabri Novosellës, ma dha detyrën për të shkuar në Stamboll për t'u takuar dhe për të biseduar për bashkëpunim me vëllezërit Njazi e Tefik Straja, të cilët ishin shpërngulur në Turqi qysh në vitin 1956. Meqenëse, nuk m'u duk e udhës që të udhëtoja në këtë kohë ngase edhe mund të diktohej qarkullimi im i shpeshtë jashtë vendit, kjo ishte hera e parë që e mora me rezervë një detyrë që më shtrohej nga lartë. Atëherë, Shefqeti, duke ma arsyetuar ngurrimin tim, më tha se lidhur me këtë punë ka qenë i paraparë “Gazetari”, por, meqë ai nuk ka pasaportë, ti je propozuar në vend të tij. Dhe, në fund, shtoj se ky kontakt ishte me porosi të bacit, Adem, d.m.th. të Adem Demaçit, i cili ndodhej në burg. Sabriu, pos pseudonimit, “Luani i Prishtinës”, m’i kishte siguruar edhe adresën dhe të hollat për udhëtim. Derisa, jemi këtu po e plotësoj këtë të dhënë se edhe veprimtarë të tjerë, që kanë shkuar para meje me detyra të ngjashme, atje janë paraqitur po me këtë pseudonim dhe po me "porosi" të Adem Demaçit. Si shembull konkret po e përmendi vetëm veprimtarin, Sheremet Saraqi. Më vonë do ta vërtetoja, se nuk ka qenë e vërtetë se baca Adem e ka kërkuar një kontakt nga ne, me vëllezërit straja! Nga analizat dhe shoshitjet e mia që ia kam bërë këtij udhëtimi në Stamboll, qysh nga qëndrimi në Turqi, pastaj në burg, në mërgatë dhe në biseda me shokë kam konstatuar se shkuarja ime në Stamboll, ishte një komplot i kurdisur i disa personave zyrtarë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që ishin kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në krye të të cilit, me gjasë, qëndronte diplomati i shtetit shqiptar Bujar Hoxha. Me plot bindje dëshmoj se, unë, isha viktima e parë e këtij komploti, kurse, Sabri Novosella ishte “Donkishoti” i parë i Lëvizjes sonë, që pranoi të futet në vorbullën e rrymave të ndryshme diferencuese ndaj Lëvizjes sonë natyrore dhe gjithëkombëtare, që ishte pa dallime ideopolitike apo fetare. Ngjarjet e mëtejshme historike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ish- Jugosllavi, u përputhën katërçipërisht, me këtë konstatim timin. Pikërisht, për të argumentuar këtë që thashë më lart, po përpiqem që në mënyrë sa më të hollësishme ta shpjegoj rrjedhën e udhëtimit tim në Stamboll. Në Stamboll, qëndrova nga data 5-8 tetor të vitit 1979. Me vete kisha një fjalor frëngjisht- turqisht, të cilin e përdorja në raste të nevojshme gjatë bisedave të rastit me të turq, por pas takimit me vëllezërit straja nuk pata nevojë më për të. Në “Capali Çarshi”, që në shqip do të thotë, “Tregu i mbuluar”, shpejt e gjeta dyqanin e argjendpunuesit, - Kuyunci Njazi Saraçogli, për çka u çudit edhe Njaziu. (Njaziu, kishte qenë anëtar i LRBSH-së, bashkëpuntor i Adem Demaçit, i cili e kishte ndihmuar materialisht organizatën duke përfituar edhe shumë bashkatdhetarë që gjendeshin në Turqi, Gjermani, Itali, etj. Mirëpo, gjatë një vizite që ia kishte bërë Kosovës, më 1964, ishte arrestuar dhe pastaj ishte dënuar në grupin e Adem Demaçit me 9 vjet burg të rëndë.) Qysh në fillim pata një hezitim për të hyrë apo jo në dyqanin e tij, sepse aty shihja një person të cilin e njihja. Ai, bisedonte shtruar me Njaziun dhe dukej se nuk e kishte ndërmend të largohej. Ky ishte A.B., farmacist, nip i një familje të fshatit tim. Dajë e kishte E.P., historian, intelektualin e parë dhe më të madh të fshatit tonë, por, gjithashtu, edhe titistin më të madh të fshatit tonë dhe më gjerë. E.P, historiani, kishte edhe djem të axhës në Stamboll. Me gjasë farmacisti, me të cilin ishte edhe një person tjetër që mund të ishte dajë i tij, ishte i informuar për shkuarjen time, sepse, shpesh shikonte me kurreshtje nga dritaret. Athua, mund të mendonte ai, kush na qenka ky dajë imi, që, qenka porositur nga Adem Demaçi të bëjë kontakt me Njaziun! Insiktivisht, m’u krijua kjo parandjenjë! Nuk kisha dëgjuar kurrë fjalë të këqija për të, por, seç më erdhi në mendje një takim i rastit me të që më kishte ndodhur në farmacinë e qytetit të Vushtrrisë para dy viteve. Shkova në barnatore për ca barna, ku papritmas erdhi edhe Burhan Prishtina, agjent i Sigurimit jugosllav, dhe mbasi i foli diçka në gjuhën turke iku. Më hyri dyshimi se, mos Burhan Prishtina, kishte depërtuar edhe në Stamboll nëpërmjet miqve, meqë edhe ai pllanajtë i kishte dajallarë të babës dhe ishte dinak i madh në këso rastesh. Me mendime si këto, shëtita edhe afër gjysmë ore në “Kapali Çarshi”, dhe më në fund duke parë se A.B. nuk po largohej, hyra dhe u paraqita si, “Luani nga Prishtina”. Njaziu, me pamje të një mjeshtri intelegjent, më priti në mënyrë miqësore dhe më dha vend që të ulesha, kurse, Aliun dhe personin tjetër m'i prezentoi si myshteri të tij. Njaziu, na porositi nga një çaj dhe i telefonoi Tefikut, vëllait të vet, duke e lajmëruar për ardhjen time. A.B. edhe pse më njihte mirë, ndoshta jo me emër, paraqitej sikur të ishte turk. Në fakt, qytetarët e vjetër të Vushtrrisë dinë turqisht, ai në familje flet edhe turqisht; po nga pamja dukej se ishte thelluar në mendime dhe nganjëherë më shikonte me bisht të syrit. Nga kjo situatë e zymtë në dyqanin e Njaziut, na shpëtoi ardhja e Tefikut, pas një çerek ore, me të cilin, pasi u njohëm, pas pesë minutave ikëm nga dyqani. Tefiku, tërësisht i thinjur e me një pamje nervoze, më dërgoi në dyqanin e vet të çantave. Në dyqanin e tij punonin 4-5 të rinj, pothuaj të moshave 15-17 vjeçare. Diktova se ata i druheshin prezencës së Tefikut. Pasi u dha ca detyra shkuam në banesën e tij pranë, detit Marmara. Rrugës u interesua për emrin tim dhe nga cili vend i Vushtrrisë isha, sepse, ishte në dijeni se nga isha. I thashë se për për ty, unë jam “Luani” dhe me këtë emër edhe do t' më prezantosh te shokët tjerë me të cilët do të takohemi. Mos u tut nga unë, - më tha, se me këtë emër, “Luani nga Prishtina”, paraqiten ata që dërgohen nga Sabriu, pastaj m'i tregojnë emrat e vertetë. Tefiku, më tregoi se ishte nga Novolani i Vushtrrisë, se kishin jetuar në Prishtinë dhe, se ishin shpërngulur me dhunë nga regjimi i Rankoviqit. Më tregoi se njihej nga gjimnazi, me Adem Demaçin, etj. Ishte i martuar dhe kishte dy djem, njëri i moshës 12-vjeçare e tjetri 8-vjeçar. Gruaja dhe djemtë e tij, pothuajse, nuk e dinin asnjë fjalë shqip! Pasdite dolëm për të shëtitur në Stamboll. Bisedat i bënim gjatë rrugës, në anije, në kafene e në ndonjë kopsht kur uleshim për të pushuar.Ai, pasiqë më përgëzoi për punën e guximshme që po e bënim, filloi të më bombardonte me pyetjet e veta për sistemin komunist në Shqipëri. - E si mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë, me një vend kaq të izoluar?!...Ata nuk kanë liri qytetare, si ju në Jugosllavinë e Titos! Qe, psh., ju dilni të lirë ku të doni, punoni në shumë vende të Evropës, shëtiteni dhe bëni tregti me kë të doni!...Ata janë në një sistem sllavo-komunist që i shikojnë më shumë interesat internacionale se ato kombëtare!...Ne, nuk pajtohemi me një regjim të tillë!... Më zuri në befasi dhe nuk dija se si t'i përgjigjesha! Nga përvoja ime në biseda me shumë patriotë, me mendime të ndryshme, duke përdorur një dialektikë të vazhdueshme, kisha arritur në pajtueshmëri të plotë me rrugën për bashkim kombëtar në shumë raste kundërthënëse. Tashmë, kisha disa miq, si hoxhë, haxhi, bekteshi, -endesheista, ballista,etj., të cilët na ndihmonin në agjitacionin gjithëkombëtar. Po, me këtë "anadollak" si të pajtohesha në mendime! Ishim në një park të qytetit dhe pas pyetjeve të tilla të paparashikuara, isha thelluar në mendime se si t'i përgjigjesha këtyre pyetjeve, aspak të lakmueshme...- Si thua ti, më erdhi një zë i shterur, a më mirë me Perëndimin apo me Lindjen! - As me Perëndim , as me Lindje, po me Shqipëri -iu përgjigja. -Pse pra, në Shqipërinë tënde, të Enver Hoxhës, ka hidrocentrale, fabrika, pastaj edhe qytet me emrin, “Qyteti Stalin”?! - Shiko, Tefik, më duket se je duke më provokuar me këto pyetje! - Dua të dijë se çfarë ideologjie ke, të majtë, apo të djathtë?, -ma ktheu. - Kam menduar se ti e din se në Lëvizjen tonë militojnë të gjithë ata atdhetarë që e duan lirinë dhe bashkimin kombëtar, pa dallim ideje, krahine apo feje. Unë, mendoj se ti duhet ta dish se ne na kanë tradhtuar, si Perëndimi, ashtu edhe Lindja, qysh nga Kongresi i Berlinit, pastaj në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër e deri në Konferencën e Versajit. Kurse, Konferenca e Jaltës në mes të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe e SHBA-ve më 1945, me Stalinin, Çurçilin e Ruzveltin, i ka përcaktuar kufinjt dhe sferat e interesit edhe në Evropë. Shqipëria, u tradhtua nga Jugosllavia edhe pas LDB-së, sepse, lufta kundër fashizmit kishte qenë e përbashkët dhe se Konferenca e Bujanit, që është mbajtur më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, Kosovës ia njihte të drejtën për Vetëvendosje- ribashkim me Shqipërinë, etj.
Pastaj, i shpjegova për marrëveshjen e shpërnguljeve të shqiptarëve, Jugosllavi- Turqi, që kishte vazhduar edhe në regjimin e Titos, për tentimin e jugosllavëve për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë etj., dhe, se, Enver Hoxha, ishte prishur me Lindje, me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushqovi, ishte pajtuar me Titon dhe Rankoviqin, prandaj nuk qëndron thënia se, “ Enveri është sllavo-komunist”. Pastaj ai, në vitin 1960 e kishte përzënë nga Shqipëria edhe superfuqinë numër dy në botë, BRSS-në. Pastaj, ia kujtova se, Adem Demaçi, që ishte edhe idoli i tij, e ka formuar LRBSH-në me qëllim të bashkimit kombëtar. Nga këto që ia thashë disi u step dhe nuk dinte se çfarë pyetjesh të më bënte më. - Ti, i shpjegon shumë mirë këto ngjarje historike, por, për Shqipërinë, të tjerët flasin ndryshe!...Dita e parë na shkoi me këto biseda, pa i eliminuar kundërthëniet që kishim në lidhje me Shqipërinë. Ditën e dytë, paradite, ma prezentoi një avokat turk, pa më paralajmëruar, duke më thënë se ishte i interesuar të bisedonte me mua, meqë e fliste frëngjishten, dhe iku për në dyqanin e vet. Avokati turk, u interesua për historinë tonë, për të drejtat tona në Jugosllavi, për dënimet e trajtimet e të burgosurve, dhe pas një shpjegimi të thukët për historinë shqiptare, sidomos nga Konferenca e Londrës e këndej, për robërinë e gjysmës së Shqipërisë etnike nga jugosllavët e grekët, më falënderoi për këto të vërteta historike, duke pranuar, se, kishte pasur mangësi për këtë. Në fund më pyeti për karakterin e luftës sonë për çlirim dhe ribashkim kombëtar. I tregova, se lufta jonë është nacional-çlirimtare, nuk ka karakter klasor, dhe se ka një ngjashmëri me luftën turke kundër grekëve, të udhëhequr nga Ataturku i madh. -Pajtohem plotësisht me mendimin tuaj, më tha duke ma dhënë dorën, dhe ju uroj suksese në luftën tuaj shumë të drejtë! Pas largimit të avokatit turk, gruaja e Tefikut, një grua tipike evropiane, me veshje e me sjellje, u ul në vendin e avokatit dhe filloi të më fliste frëngjisht. - Qe dora, - më tha, duke ma zgjatur dorën në shenjë aprovimi, ju kam dëgjuar shumë me vëmendje dhe jam shumë e entuziazmuar për qëndrimet tua shumë të të drejta e të qarta! Pastaj, argumentet tua ndaj Jugosllavisë e gjunjëzuan edhe avokatin, sepse ky flet mirë për Titon!... I vinte keq që nuk fliste shqip. Frëngjishten dhe anglishten, i kishte mësuar në kurse për gjuhë të huaja, të cilat u nevojiteshin për turistët që vinin në Stamboll. Ajo, më tregoi për origjinën e vet, të parët e saj ishin nga Lushnja, dhe për simpatitë që i kishte për Shqipërinë. Me keqardhje më tregoi se, te Tefiku vinin më shumë bashkatdhetarë që e donin Titon dhe tregtinë, se sa, ata, që e duan me të vërtetë Shqipërinë. Pasdite, erdhi Tefiku, dhe pas një pushimi prej dy orësh, dolëm për të shëtitur në detin, Marmara. Ai, kishte një barkë motorike dhe dinte ta drejtonte. Shëtitnim në brigjet e Stambollit të madh. Në biseda disi ngurronim të çeleshim për arsye të kundërthënieve që i kishim pasur një ditë më parë. Herë pas here ndërronim nga një fjalë për Kosovën dhe për ngjarje të ndryshme por, pa u përqendruar në ndonjë temë konkrete. Dikur, atij iu çel goja! - A e sheh sa vend i bukur!- më tha.- Me të vërtetë shumë i bukur! -ia ktheva.
- Vijnë turistë nga të gjitha anët e botës, dhe Turqia përfiton shumë me turizëm! Pas ca fjalëve për Stambollin e turizmin, preku aty ku i dhembte dhëmbi, duke më thënë se me këtë barkë i shëtit shpesh edhe diplomatët shqiptarë, pos miqve e shokëve nga Kosova, dhe se i vjen shumë keq që në Shqipëri nuk kanë barka, anije, vetura dhe prona private, nuk kanë tregti e turizëm të zhvilluar, etj.
- I kanë të gjitha, ia ktheva, - bile, edhe nëndetëse, ushtrinë dhe mbi të gjitha; shtetin e lirë e sovran! Kjo, është pasuria më e madhe që i duhet një populli! Unë, nuk mashtrohem nga luksi! Kam parë botën me sy, por, kur nuk e gëzojmë lirinë e jemi të shfrytëzuar nga të tjerët, luksi e pasuria private nuk më tërheqin!- Tamam, flet si komunist, -më tha me një zë të çartur, nuk flas më me ty, për Shqipërinë! Pas kësaj, ai, rrufeshëm, filloi ta ngas barkën motorike duke treguar kështu zemrimin ndaj bindjeve të mia për Shqipërinë. Nuk mund ta duroja atë shpejtësi të barkës dhe iu luta që ta ngadalësonte. Mirëpo, edhe pas ngadalësimit, nuk mund të qëndroja më në barkë dhe iu luta që të më lëshojë në bregdet, sepse, ndieja një molisje dhe më vinte për të vjellur vrer. Ai, nuk donte të më largonte nga barka, duke më premtuar se ajo gjendje do t´ më kalojë. Kaloi gati gjysmë ore dhe kurrsesi, nuk më ndalej vreri, doja t'i qitja zorrët jashtë, -ndërsa ai vetëm qeshte. Më humbi forca tërësisht dhe u shtriva duke u molisur nga çasti në çast, kurse, ai sillej, sikur nuk ndodhte kurrgjë!
- “Edepsëz, karadomuz!... xhenaze”! E dëgjova një zë burri që vinte nga një barkë tjetër. Tefiku, e ndali barkën e vet dhe filloi të bisedonte me barkëtarin tjetër. Nuk i kuptoja, përveç ndonjë fjalë të rrallë, por, nga pyetjet që ia shtronte Tefikut, kuptova se ishte ndonjë vëzhgues barkash, sepse e dëgjova kur, për mua, Tefiku i tha se, e kam akraba. Pas bisedës që patën, të dy barkat iu afruan bregdetit, dhe pasiqë unë dola nga barka, barkëtari tjetër u largua. Për çudi, pas pesë minutash, erdhi shoqja e Tefikut, dhe kur më pa se në çfarë gjendje isha i bërtiti diçka burrit të vet, por, ai nuk ia vuri veshin, e urdhëroi që t' më dërgojë në banesë, ndërsa, vet u tret prapë në det. Ajo m’i rreshku ca copa buke duke më thënë se do të më kalojë shpejt. Dhe, vërtetë, pas gjysmë ore u këndella dhe nga shoqja e Tefikut kërkova që, të pyeste për orar të autobusëve. Nga agjencitë ajo mori përgjigjen se autobus për Kosovë kishte tek të pasnesërmen. Kështu, me zor, mbeta edhe dy net te ky bashkatdhetar, tekanjoz. Kur erdhi në mbrëmje, kokulur, (se, zakonisht ai e mbante kokën lart dhe dukej sikur shikonte qiellin), dhe, formalisht më kërkoi falje për bezdisjen që më kishte bërë. U bëra sikur nuk ishte bërë ndonjë hata dhe shkova për të fjetur më herët se zakonisht në dhomën që ma kishin rezervuar. Dekonspirimi enigmatik, që m'u bë, nga ana e diplomatëve të Shqipërisë në Stamboll: Të nesërmen pas dreke shkuam në dyqanin e çantave. Aty, pas një kohe, afërsisht rreth orës15, erdhën dy persona të cilët Tefiku m'i prezentoi si diplomatë të shtetit shqiptar, me gjasë Bujar Hoxha dhe një tjetër me të cilët pata një polemikë të ashpër lidhur me ndryshimin e pikës së parë të Statutit tonë, d.m.th. të hiqnim dorë nga ribashkimi me Shqipërinë. Ata, insistonin që, vetëm me udhëheqësinë e atëhershme të KSA të Kosovës, të përpiqeshim për të drejtat tona të barabarta me republikat tjera në kuadër të RSFJ-së, etj. Në një moment, pasi që dola për nevojë fiziologjike, Tefiku, ma mori çantën e dokumenteve të mia duke më thënë se mund të ta vjedhin hajnat në WC publike...Kur u ktheva, ata m'i kishin kontrolluar dokumentet, dhe mu drejtuan,- “Eja, Ramadan Pllana”!...Për mua kjo ishte kulmi i të gjithave dhe ua ktheva: -Nuk ua pata borxh këtë dhe nuk ju besoj se jeni diplomatë të shtetit shqiptar!
Na e përshkruaj shkurtimisht këtë takim enigmatik?
- Diplomati më kompetent, me të cilin shkëmbyem fjalë më së shumti kishte shtat mesatar, ishte i moshës së viteve të pesëdhjeta, i gjatë afërsisht sa unë që i kam 172 cm, ishte burrë i shëndoshë, fytyrëgjerë e të kuqe, pak qeros nga pjesa e përparme e kokës, dhe për habinë time zylyfet i kishte pak më të gjatë se normalisht, diçka e pakapshme dhe kontradiktore për kohën. Tjetri, ishte më i ri, me trup mesatar, afërsisht 40 vjeçar, shëndetlig dhe më i qetë. Ardhja e tyre më befasoi se nuk isha informuar fare për një takim të tillë. Pas një përshëndetje të rëndomtë e ca fjalë formale, Tullaci ( kështu e quaj unë tani e tutje) hyri në bisedën serioze. - Shoku Luan, Ne, u informuam për ty dhe aktivitetin tënd në kuadër të Lëvizjes suaj. Meqenëse, ne diplomatët, nuk kemi kohë shumë për muhabete të gjata, dua t'ju them të drejtën se jeni duke u ngutur shumë dhe se po gaboni me këtë hov që keni marrë kundër RSFJ-së. Ju, po zhyteni nga pak në anarkizëm, iu duhet një maturi më e madhe për të mos i dëmtuar këto të drejta dhe këtë zhvillim që e keni fituar viteve të fundit. Keni shkolla, Universitetin, fabrika, ndërtime, rrugë, hekurudhë, etj, nuk duhet mohuar këto përparime. Me kushtetutën e '74-it , ju jeni gati të barabartë me republikat tjera në Jugosllavi, etj.
- Ne, jemi të vetëdijshëm se mund të gabojmë dhe se mund të kemi mangësi e të meta në rrugën tonë çlirimtare, por, me përpjekje e punë të palodhshme do t' i përmirësojmë edhe gabimet që mund t' bëjmë, ia ktheva unë.
- Ne, u themi haptas që, tani për tani, me Udhëheqësinë tuaj zyrtare në Kosovë, me organet legale të KSAK-së, pra, nëpërmjet këtyre të kërkoni të drejtat tuaja në kuadër të RSFJ-së.- Mund të mospajtohemi në këtë aspekt, ia ktheva, sepse për të gjitha këto "përparime" që thoni ju u dashtë prapë të derdhet gjak pas tradhtisë që na u bë nga udhëheqësia jugosllave, të ndihmuar edhe nga kuislingët shqipfolës. Mohimi i Vetëvendosjes për bashkim me shtetin amë, shpërngulje me dhunë në Turqi, burgosje e maltretime, Adem Demaçi, janë shembuj konkretë, demonstratat e vitit 1968…
- “Ngadalë djalo, punët e mira vijnë me gjakftohtësi, puna me karar e pa zarar, -kështu, është më mirë”! - “Kjo, do të thotë që ne të mos lëvizim në drejtim të ribashkimit me Shqipërinë, të vendnumërojmë… -nuk pajtohem, iu përgjigja shkurt”!
- Pasi i kishim pirë çajat, që na i kishte porositur Tefiku, pothuajse, edhe e kishim mbaruar bisedën, mua më rrokën nevojat fiziologjike dhe u nisa për në W.C. publike, se në dyqan nuk kishte nevojtore, ai më erdhi mbrapa dhe mu para se të hyja ma kapi çantën e dorës, ku i kisha dokumentet, duke më thënë se mund të ma vjedhin hajnat. Pas pak minutash, kur u ktheva në dyqan, e vërejta “Tullacin”, duke e futur pasaportën time në çantë, d.m.th. e kishte kontrolluar për të mësuar emrin tim të vërtetë. Nuk u besoja syve të mi! Si ka mundësi të më ndodhë edhe kjo! Ndodhi enigmatike!
- Urdhëro Ramadan Pllana, se nuk ka nevojë më që të thërrasim me pseudonim, -më tha; duke ma dhënë çantën time.
- "Këtë, nuk e prisja nga ju, nuk ua pata borxh, nuk keni kurrfarë të drejte të m 'i kontrolloni dokumentet personale! Nuk jeni ju në lëkurën tonë, apo nuk e dini se ne jemi në gojë të ujkut"! -ua thashë i mllefosur. Mirëpo, “Tullacit” nuk i bëri përshtypje fare kjo mllefosje. U ngrit për të shkuar dhe, duke ma dhënë dorën për t'u përshëndetur, më tha: - Këtu, nuk ka gjë të keqe, se nga kureshtja e patëm, dhe ikën. Nuk dija se ç'të bëja! Një mendim dyshimi më thoshte që të shkoj në konsullatën shqiptare në Stamboll për të vërtetuar, nëse vërtetë ata ishin diplomatë apo agjentë te Sigurimit shqipfolës kosovar. Me Tefikun nuk ndërrova fjalë atë ditë. Të nesërmen, kur duhej të kthehesha me autobus për Prishtinë, ai, më kërkoi edhe njëherë falje për këto „incidente të vogla“. Para nisjes, ai, më befasoi edhe me një surprizë tjetër, sipas tij, shumë patriotike: tentativa për ta dekonspiruar edhe Jusuf Gërvallën;
- Ishim duke pirë çaj për herë të fundit, në një atmosferë, relativisht, të "pajtuar". Tefiku, ma dha një fotografi të njërit djalë, të veshur bukur në kostum kombëtar, duke më propozuar që, “Gazetari” ynë, nuk insistonte ta dinte emrin, ta shkruante një artikull në "Rilindje" për fëmijët shqiptarë, që po asimiloheshin në Turqi. Ideja e tij ishte që të njoftohet lexuesi kosovar për nostalgjinë për atdhe që kishin familjet shqiptare në mërgim,etj. Pra, fotografia e Ergynit, sa më kujtohet emri i djalit të tij, të ishte në klishenë e këtij artikulli. E futa fotografinë në fjalorin tim, të cilën e ruaj edhe sot si kujtim të hidhur të një kohe, ndërsa, për artikull i "premtova" se do t’ia dërgoj porosinë në vend, por, në realitet lidhur me këtë „porosi“ kurrë nuk kam biseduar me shokët e Organizatës. Pas gjithë kësaj aventure "politiko-patriotike", fotografia dhe porosia e tij më bëri që të dyshojë në patriotizmin e tij. Më përcolli deri kur hipa në autobus, me drojën sikur doja të ndalesha në Stamboll! Shkurtimisht, kjo ishte aventura ime e "famshme" gjatë qëndrimit tim në Stamboll. E shkuar dhe e paharruar për mua!
Si reagoi "Komiteti Qendror" ndaj kësaj vizite të pakëndshme në Stamboll?
Kur u ktheva në Kosovë, shokëve të Komitetit u tregova "kënaqësinë" e bisedave që kisha pasur në Stamboll dhe i sugjerova Sabri Novosellës dhe shokëve të Komitetit që të dal në ilegalitet, sepse, unë nuk ua kisha besën atyre të Stambollit.
- Përgjigjja definitive ishte JO; ndaj, u binda se ishte „shkruar“ që të bëhesha edhe unë "kurban" i Lëvizjes! Nga e gjithë kjo histori që e tregova lidhur me "Komitetin", sidomos, pas përjetimeve të mia në Stamboll, përfundimisht u binda se Sabri Novosella ishte "themeluesi" dhe strumbullari i këtij Komiteti fiktiv dhe imagjinar. Në Organizatë, ai e pranonte kë donte dhe pastaj, po kështu, ai, e largonte apo e diferenconte sipas dëshirës së tij. Duke mos lënë hapësirë jashtë kontrollit të vet, ai, ishte në gjendje që ta trajtonte si armik çdo kundërshtar ideologjik dhe çdo kundërthënie në një arsye për një "shkurorëzim", fatal. Lidhur me këto marifetllëqe, ai, kishte fituar përvojë dhe ishte bërë mjeshtër i madh. Këto, ai i arrinte duke u thirrur në vazhdimësinë e LRBSH-së, të cilën e kishte themeluar, Adem Demaçi, dhe materialisht ishte i kamur. Për të vërtetuar këtë dyshim timin, për vazhdimësinë e drejtpërdrejtë të LNÇKVSHJ-së, nga organizata e Adem Demaçit e kam pyetur edhe simbolin e rezistencës tonë kombëtare. Adem Demaçi , i cili më ka thënë se, “ kurrë nuk ka qenë i njoftuar për themelimin LNÇKVSHJ-së”!. Gjithashtu, bacin , Adem e kam pyetur: se, sa është e vërtetë që, ai, e ka porositur dikend për të kontaktuar në Stamboll me Njazi e Tefik Strajën? -Edhe, lidhur me këtë porosi, ai, më është përgjigjur se: “kjo, nuk është e vërtetë”!...
- Sot botërisht, e shtroj këtë pyetje: Përse, ne na gënjente Sabri Novosella duke u thirrë në emër të Adem Demaçit?!
-Pas kthimit nga Stambolli i thashë haptas Shefqetit se kam vërejtur se jam duke u përcjellur nga persona të dyshimtë dhe se e kam një parandjenjë se, -do të arrestohemi para Festës së Flamurit, kur edhe duhej të takohej, "Komiteti Qendror". Mirëpo, Shefqeti nuk mund të vendoste dhe kishte besim të madh në Sabriun, sepse, njiheshin qysh nga vitet '60-ta, e sidomos nga demonstratat e '68-ës. Shefqeti, edhe pse nuk e njihte, nuk besonte se do të na vinte ndonjë e keqe nga flokëbardhi, Tefik Straja, aq më tepër pasiqë me të kishim kontaktuar me "porosi" të bacës, Adem. Në Stamboll kishte qenë disa herë edhe Sheremet Saraqi. Në Stamboll ai ka qenë edhe para meje por edhe pas arratisjes së Sabriut në Turqi. Ai, atje kishte mbajtur të njëjtin pseudonim që kisha unë, por, edhe detyrat i kishte po me "porosi" të Adem Demaçit. Sheremeti, thoshte se: “ kurrë nuk i është thënë se është propozuar, apo zgjedhur anëtar i "Komitetit". Në Turqi dhe në Suedi, me detyra atdhtare, ka qenë edhe veprimtari i devotshëm i Lëvizjes, Rexhep Ahmeti. Për çudi, nga Turqia, Sabriu e emëron për anëtar Komiteti, Asllan Muharremin. Dhe, ky emërim bëhet në një moment shumë delikat të aktivitetit të tij, kur Asllani ishte në ilegalitet, dhe i sëmurë rëndë. Siç duket, pas vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga UDB-ja, jugosllave në Shtutgart, më 1982, Sabriut i duhej një personalitet i besueshëm i kalibrit të Jusufit, për ta dërguar në Evropë. Për këtë punë Sabriu kishte preferuar Teki Dervishin, por, Tekiu nuk kishte pranuar të angazhohej në aktivitete politike dhe ishte kthyer nga Turqia në Kosovë.
Si i diktuat përcjelljet që ju bëheshin nga ana e Sigurimit shtetëror e të spiunëve të tyre?
- Ne, vazhdimisht ishim të vetëdijshëm se mund të përcilleshim gjatë aktivitetit tonë dhe për këtë edhe kishim kujdes. Pas kthimit nga Turqia, vërejta një përcjellje të madhe që po më bëhej nga shërbëtorët, vegla qorre, të ndërsyera nga agjenti i Sigurimit jugosllav, Burhan Prishtina. Në vijim, shkurtimisht, po e jepi biografinë e këtij agjenti dinak; Burhan (Ahmet) Prishtina ka lindur në vitin 1941 në Vushtrri, në një familje që kishte lidhje fisnore me Hasan (Ahmet) Prishtinën, njëri ndër udhëheqësit më të shkëlqyer të Shqipërisë Etnike. Burhani, në fillim punoi si mësues në një shkollë fillore të vendlindjes dhe më vonë bëhet punëtor i Sigurimit shtetëror jugosllav. Me punën e zellshme në këtë shërbim arrin të avancohet deri në shkallën e inspektorit federativ. Ishte i martuar dy herë, njëherë me një serbo-vllahe nga Timoku, kolege e tij në profesion, ndërsa, herën e dytë me Lumnije Gelën nga Vushtrria. Përveç shqipes, e fliste mirë turqishten dhe serbo-kroatishten. U vra,bashkë me të shoqen, në Mitrovicë nga kriminelët serbë, më 1999 në banesën e vet, në pjesën veriore të qytetit. Sejmenët e Burhanit, ishin aktivizuar më shumë se kurrë! Më përcillnin, tinëzisht, hap pas hapi. Vëzhgonin qarkullimet e mia dhe vigjilonin ardhjen e mysafirëve në familjen tonë. Por, edhe unë, me maturi i kisha angazhuar disa shokë për t' i përcjellur këta spiunë, shkretanë të çoroditur! Dhe, shokët i mi ishin të bindur, se këta persona po na përcillnin neve: RR.P., prof. në gjimnazin e Vushtrrisë, ishte i lidhur me A.P., mësues në një shkollë fillore, vëlla i Burhanit, kishin banesat ngjitur afër gjimnazit, J.P. arsimtar në shkollën fillore në Kastriot, ishte nga fshati im, H.I. mësues në Strovc, S.ZH. inxhinier në "Trepçë", H.Z. student, Gjuhë dhe Letërsi në Prishtinë, E.M. mësues në Maxhunaj, më vonë koleg i Burhanit, H.H. nëpunës në komunën e Vushtrrisë, S.P. punëtor në Hekurudhë të Fushë Kosovës, etj. Gjithashtu, pas kthimit tim nga Turqia, në Prishtinë kisha vërejtur një person të dyshimtë, i moshës 50 vjeçare me shtat të ulët dhe kuqalosh në fytyrë, që më përcillte rrugës kur dilja nga fakulteti. Po ky person, i quajtur Nuhi Çerkini, pas arrestimit tim, ishte hetuesi numër dy, pas hetuesit kryesor, udbashit, Zejnullah Shala. Nuhiu, e fliste edhe turqishten, sepse kur vinte një koleg i tij dhe interesohej për rrjedhat e procedurës së hetuesisë, flisnin në këtë gjuhë për të mos i kuptuar unë. Pas ca kohe, në fillim të nëntorit, persona të dyshimtë kishin shkuar në dhomën e konviktit, që ishte në emrin tim, dhe kishin pyetur se kush banon në këtë dhomë. Po, në të vërtetë, atë dhomë e kisha marrë me qëllim që t'ia jepi Martin Buçajt, një shok imi, nga Gjakova, sepse, ky nuk kishte gjetur banesë. Kështu, m'u kishte ngushtuar rrethi, dhe pritej dita e arrestimit tim. "Komiteti Qendror", kishte mendimin se duhej të mbusheshin burgjet edhe një herë me shqiptarë në mënyrë që të njihej edhe bota me shtypjet dhe padrejtësitë që na bëheshin nga RSFJ-ja. Duke e parë rrezikun e arrestimit eventual edhe takimet me shokë. I kisha rralluar qarkullimet e panevojshme dhe, po ashtu, i kisha anuluar edhe dy takime të fshehta, me dy simpatizues, për të biseduar lidhur me festimin 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Ato ditë, kisha rastin të bisedoja edhe me profesorin e Fakultetit Filozofik, M.T. me të cilin na lidhte edhe një segment miqësie, i cili më propozoi që të shkonim një ditë në restorantin, "Rugova" dhe të bisedonim, mundësisht, -edhe më një njeri, që interesohej për të më njohur. Jusufi, edhe përpara e kishte pyetur për mua në Fakultet një profesor universiteti por, unë nuk e dija se me cilin kishte shoqëri më të madhe. Jam i sigurt se, ai, ishte Jusuf Gërvalla, sepse, e kishte deshifruar “Studentin e frëngjishtes” dhe, interesohej të njihej, -si rastësisht, me mua. Por unë, edhe pse i premtova M.T. nuk e kisha ndërmend të shkoja në një takim në ato rrethana në të cilat isha. Edhe rastin e fundit të një takimi të mundshëm, për të cilin isha shumë kureshtar, e humba një javë para se të më arrestonin. Sabri Haxhiu, nga Vaganica e Mitrovicës, kishte shkuar në Shqipëri me një grup studentësh të Fakultetit Filozofik në muajin tetor dhe, po tjerash, e kishte takuar edhe axhën e vet, Ajet Haxhiun, autorin e veprave, historike, „Hasan Prishtina“ dhe „Azem e Shotë Galica“, që kishin bërë bujë te lexuesit shqiptarë në Kosovë e gjetiu. Sabriu, më tha se kishte dëshirë të bisedonim, sepse, xhaxhi, kishte dërguar një porosi për mua. Pasiqë, ishim në një vend publik, në lokalet e Fakultetit Filozofik, e vendosëm që, të takoheshim pas 3 ditësh, në një vend më të sigurt, për të biseduar më lirshëm. Nga ajo ditë, e deri më sot , Sabriun, nuk e takova më, -dhe, me ka mbetur enigmë, edhe porosia e Ajet Haxhiut, e dedikuar për mua.
Kur filloi arrestimi juaj dhe kush u arrestua i pari, trajtimet në hetuesi dhe kur u shpallën dënimet e grupit tuaj?
- Disa izolime dhe disa të ashtuquajtura "biseda informative", ishin bërë qysh prej vizitës së satrapit Tito, në Kosovë. Veprimtarë të ndryshëm merreshin në pyetje dhe, poashtu, lëshoheshin pa ndonjë zhurmë. Kështu, ishte krijuar një huti dhe dyshim se dikush po bashkëpunonte e dikush po lirohej për t'u përcjellur pastaj, nga organet Sigurimit. Zyrtarisht, nëse mund t'u besohet të dhënave të Sigurimit Shtetërorë, sipas kuislingut Sinan Hasani, gjatë vitit 1979, 400 persona janë trajtuar për "veprimtari armiqësore" kundër shtetit. Me fakte janë „vërtetuar“ 300 persona, mirëpo, udhëheqësia politike e Krahinës dhe organet më të larta të vendit (RSFJ-së, shënimi im) për "qasje selektive", procedura penale, do të hapet dhe do të dënohen 65 veta. Zyrtarisht, nga Grupi ynë, më 11 nëntor 1979, i pari u arrestua Sulejman Qyqalla. Pastaj, më 14 nëntor, në mesnatë, në fshatin tim, Shtruerë (ish-Shtitaricë ), u arrestova unë, nga Burhan Prishtina, me suitën e tij. Me këtë datë, u arrestuan edhe të tjerët. Atë natë, në dhomën e fjetjes, “odë”, e quanim, -pos meje, ishin babai dhe tre vëllezërit e mi. Me dhjetëra policë të armatosur e kishin rrethuar shtëpinë tonë. Pas urdhrit “për t' u veshur dhe përgatitur, sepse, kishin nja gjysmë ore punë me mua”, -ata, filluan t’i kontrollojnë të gjitha librat, raftet, dokumentet dhe gjësende tjera, që gjendshin në odë. Kur Burhani e gjeti pasaportën time, u ndal dhe e shikoi me vëmendje. Më në fund, iu drejtua kolegëve të vet, duke vënë gishtin te vulat kufitare.
-“ Tamam, në Turqi më 3 deri më 5 tetor”! Ishte e qartë, se ai, ishte në dijeni të plotë për qëndrimin tim në Turqi. Më dërguan në Sekretariatin e PB-me të Mitrovicës, ku më morën në pyetje; Burhan Prishtina, Faruk Mehmeti, Kryeshef i Sigurimit për Mitrovicë, e shumë të tjerë që nuk i njihja, dhe, më në fund, edhe Sefedin Batalli, “koka” e Sigurimit të Kosovës. Në fund, Burhani i luti që të dilnin nga salla ku më kishin futur dhe e filloi bisedën me të mirë, duke më thënë se i dinte të gjitha, se disa prej shokëve tonë më të rinj vetëm i kanë marrë në pyetje dhe i kanë liruar, kurse, për të tjerët do merren vendime. M' u betua, me besë shqiptari, se nuk është kundër interesave shqiptare, se ka gjak shqiptari më shumë se ne, meqë ishte i familjes së Hasan Prishtinës, se, ishte për Kosovën Republikë dhe në fund më garantoi se do të më lëshonte në liri, -në fund të fundit, vetëm që, unë të heqja dorë nga ideja e ribashkimit me Shqipërinë. I thashë, - “Burhan, nuk jemi në pozita të barabarta për këtë bisedë dhe të lutem m' i jep librat, albumet e fotografive dhe shënimet për Hasan Prishtinën, sepse nuk ke të drejtë të m'i konfiskosh, sa për të tjerat, ti je "hyqymet" dhe vazhdo”!... Pas ca përpjekjeve të kota për t'më bërë për veti, i telefonoi dikujt dhe pas pak erdhi Faruk Mehmeti, i cili ma shau Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe më goditi me grusht, me një forcë të madhe, në nofullën e majtë duke ma mbushur gojën gjak dhe duke m’i thyer dy dhëmbë. Më premtoi se; -nuk kam për ta parë diellin më me sy dhe i urdhëroi ca policë që t' më dërgonin në Sekretariatin e PB-së në Prishtinë. Në Prishtinë, më mbajtën edhe dy net në sekretariat duke më marrë me të mirë, me metoda identike me ato të Burhan Prishtinës, pa më maltretuar fare fizikisht. Ditën e tretë, më sulmuan 5-6 persona, dikush me grushta, dikush me shkelma, dikush me shkop, dikush m’i nxirrte flokët me rrënjë, sa më shtrinin për dysheme, sa më ngritnin në këmbë dhe vazhdonin maltretimet fizike... Njëkohësisht, ata më fyenin me lloj-lloj sharjesh që nuk i kisha dëgjuar as në rrugë: “Enverin ta q...thirre tani, se deshe me na e pru edhe neve, atë diktator”!, “Tita po e q... krejt botën”! Ju, pse xhelozoni!, etj. Atë natë, vonë, më dërguan në një birucë të burgut të Prishtinës. Nga ata që më torturuan e mbaj mend vetëm, Faik Nurën, pasiqë, ai më dorëzoi te gardianët e burgut. Ditëve tjera vazhdonin maltretimet e ndryshme, fizike e psikike, na lënin pa gjumë, pa përkujdesje mjekimi, etj. Kështu, vazhduan hetimet plotë gjashtë muaj. Inspektor në hetuesi e kisha Zejnullah Shalën nga Mitrovica, paraqitej si djalë i hallës së Ajet Haxhiut, dhe Nuhi Çerkinin.
“O, tempora”! O, mores! -Se, ç´ më kujtohej shpesh kjo thënie latine, si dhe tjetra, “Divide ut regres”!
- Asnjë agjent serb në arrestimet tona, asnjë agjent serb gjatë procedurës së hetuesisë në Organet e Sigurimit të PB-së! Të gjithë shqipfolës, dhe, tepër të zellshëm për t´i zbuluar armiqtë e RSFJ-së! Të gjithë të gatshëm për të rrahur e torturuar atdhetarët më të devotshëm, vetëm e vetëm pse donin të ishin të lirë e të bashkuar me vëllezërit e tyre natyrorë. Nuk i njihja dhe nuk i mbaja në mend as emrat e tyre. Disa prej tyre i njihja nga figura, kurse, emrat e disave i kam mësuar më vonë nga shokët e burgut dhe nga mjetet e informimit, ndër më të rrezikshmit ishin edhe këta: Lorenc Selmani, Mehmet Shoshi, Fevzi Ajvazi, Jusuf Karakushi - spiun udbash më vonë ministër i UDB-s, Hasan Mehmeti -ish-kryeshef i Sigurimit shtetëror(UDB-së) në Prishtinë, Bafti Jakupi, Lutfi Ajvazi, Ejup Bajgora, Mehmet Haskaj, Ibush Kllokoqi, Muharrem Dana, Asllan Sllamniku, Shefqet Hashani, Zenun Shala, Naip Hoxha, Refik Tashi, Shefqet Obria, Metë Kuqi, Selim Brosha, Bashkim Kusari, e shumë të tjerë.
* * *
Aktgjykimi i shqiptuar më 4 qershor të vitit 1980
GJYKATA E QARKUT NË PRISHTINË, në kolegjin e përbërë nga gjyqtari Isak Nishevci, kryetar, gjyqtari Metush Sadiku, dhe gjyqtarët porotë, Azem Emini, Maksimoviq Dojqin dhe Qazim Goxhufi, anëtarë me pjesëmarrjen e procesmbajtjes, Bedrije Kasumi, punëtore e kësaj gjykate në çështjen penale të të akuzuarve, Shefqet Jashari dhe Ramadan Pllanës për veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al.1lidhur me nenin 114 të LPJ, Avdi Kelmendit, Abdyl Lahut, Skënder Jasharit, Isa Demaj, Sylejman Qyqallës dhe Hysen Gërvallës; për vepër penale propagandë armiqësore nga neni 133 al.1 të LPJ konformë nenit 353 al 1, 2 dhe 5 të LPp, më 4 qershor 1980 mori këtë AKTVENDIM: “Kundër të akuzuarve, Shefqet Jashari dhe Ramadan Pllanës, Avdi Kelmendit, Abdyl Lahhut, Skënder Jasharit, Isa Demaj, Sylejman Qyqallës dhe Hysen Gërvallës, u vazhdohet paraburgimi deri sa të merr formën e prerë aktgjykimi i kësaj gjykate. P.nr.137/80 dt. 04. qershor 1980. Gjykata caktoi seancën kryesore dhe pas përfundimit të saj më 04. qershor 1980 shpalli aktvendimin me të cilin të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan:
Shefqet Jashari me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh,
Ramadan Pllana, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh,
Avdi Kelmendi me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh,
Abdyl Lahu me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Skënder Jashari, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh,
Isa Demaj me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Sylejman Qyqalla, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh, dhe
Hysen Gërvallën me dënim me burg prej 3 (tri vjetësh).
Vlen të përmendet se Abdyl Lahu, ishte dajë i Adem Demaçit, Skënder Jashari, djalë i motrës së Adem Demaçit, dhe Isa Demaj, janë dënuar pa fakte se kanë qenë anëtarë të LNÇKVSHJ-së…
* * *
Grupet tjera, që ishin në gjirin e LNÇKVSHJ-së dhe, u dënuan pas ngjarjeve të pranverës së vitit 1981.
Grupi i Deçanit,
i gjykuar më 7 gusht të vitit 1981 nga Gjykata e Qarkut në Pejë: Pastaj, (babë e bir) Ismail Haradinaj, 14 vjet burg dhe
Nasim Haradinaj, 5 vjet burg;
Hasan Ukëhaxhaj, 11 vjet,
Abdullah Hasanmetaj, 9 vjet,
Jashar Salihu, 7 vjet, Shkurte - Drita Kuçi, 6 vjet,
Nazmi Selmanaj, 5 vjet,
Xhavit Hoxha, 4 vjet,
Aliter Dervishaj, 4 vjet,
Din Ahmetaj, 3 vjet, Mohamet Haklaj, 3 vjet dhe
Niman Mustafaj, 3 vjet burg.
Grupi i Vushtrrisë:
I gjykuar më 4 gusht të vitit 1981, nga gjykata e Qarkut në Mitrovicë:
Ilmi Muzaçi, 10 vjet burg,
Bali Dervishi, 13 vjet, dhe,
Dinore Curri 11 vjet burg.
Grupi i Drenasit:
I gjykuar më 17 gusht të vitit 1981:
Bajram Gashi, 15 vjet,
Alush Thaçi, 13 vjet,
Ismet Sopi, 14 vjet,
Çerkin Sopi, 8 vjet,
Nuhi Sopi, 7 vjet,
Halil Kuliqi, 11 vjet dhe
Naim Bujupi 12 vjet.
Grupi i Gjakovës:
I gjykuar më 13 gusht të vitit 1981, nga Gjykata e Qarkut në Pejë:
Muhamet Rogova, 9 vjet,
Sokol Meta, 6 vjet,
Murteza Nura - Xaja, 9 vjet dhe
Hysen Kusari 3 vjet burg.
Grupi i II i Vushtrrisë:
I gjykuar më 31 gusht të vitit 1981, nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë:
Jakup Shyti, 8 vjet,
Xhevat Deliu, 6 vjet,
Bajram Latifi, 5 vjet,
Bislim Bajrami, 5 vjet,
Nebi Sejdiu, 5 vjet dhe
Ejup Shala 4 vjet burg.
Grupi i intelektualëve
( i Kadri Rexhës) në Prishtinë, gjykuar më 5 nëntor të vitit 1982, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë:
Ragip Reçica, 5 vjet,
Shaqir Shaqiri, 1 vit 6 muaj,
Kadri Rexha, 3 vjet dhe
Muhamet Tërnava me 2 vjet burg.
Grupi tjetër: Vushtrri - Mitrovicë:
I gjykuar më 27 maj të vitit 1983, nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë:
Rexhep Mehmeti, me 8 vjet,
Shefqet Dibrani, me 5 vjet,
Mustafa Munjolli, me 4 vjet dhe
Çerkin Peci me 3 vjet burg.
- Dua të shtojë se, pas rënies sonë në burg dhe pas daljes së Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës në mërgatë, disa celula në formim dhe disa simpatizues, duke i humbur lidhjet me ne, ishin anëtarësuar në organizatat tjera, ose, kishin formuar grupet e veta dhe për këtë arsye nuk po i konsideroj si anëtarë të Lëvizjes sonë. Vetëm Grupi i Deçanit, bënte përpjekje për bashkimin e radhëve në nivel kombëtar, sepse, kishte lidhje të ngushta me udhëheqësin e LNÇKVSHJ-së, me Jusuf Gërvallën.
- Pra, për mungesë faktesh, nuk po mundem të konstatojë se ky grup a këta të gjykuar ishin pjesëtarë të Organizatës sonë, por, po i ceku edhe këta persona që u dënuan ose u mbajtën në burg ( në hetuesi e të izoluar), shumë herë, nga viti 1979, e sidomos, pas demonstratave të '81-it, që ishin anëtarë, ose, kishin lidhje me ne, këta ishin: Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Ismail Gashi, Mustafë Shyti, Fadil Shyti, Fevzi Beqiri, Ismet Beka, Xhemajl Pllana, Ferki Morina, Asllan Muharremi, Rexhep Ahmeti, Nisret Ahmeti (vëllai i Rexhepit), Azem Musliu, Ali Zejnullahu, Qemajl Aliu, Burim Zagraxha, Idriz Gërvalla, Nasim Haradinaj, Sheremet Saraçi, Ismet Saraçi, Sabit Kadriu, Demë Jashari, Abdullah Hoxha, Musë Neziri, Latif Pllana, Fadil Beqiri, Behxhet Krasniqi, Ismajl Smakiqi, e shumë të tjerë të cilët nuk më kujtohen.
Si duket, pjesëmarrja e LNÇKVSHJ-së në demonstratat e '81, paska qenë e madhe, megjithë burgosjet e Grupit tuaj, si i pritët dhe si i vlerësuat ju nga burgjet, ato ngjarje?
- Është folur e spekuluar shumë, rreth ngjarjeve të lavdishme, të demonstratave të pranverës së vitit 1981. Por, unë mendoj, që nëse manifestimet historiko-kulturore e patriotike që iu bënë përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishin një ringjallje e vetëdijes kombëtare, poashtu, edhe demonstratat e '81-ishit, ishin ngjashëm me kryengritjet e shqiptarëve kundër turqve, më 1881, që udhëhiqej nga Lidhja e famshme e Prizrenit. Ishin, bijtë e bijat më të mira, të frymëzuar nga historia dhe nga patriotët e mëdhenj të pas LDB-së, sikur që ishte, Adem Demaçi, Metush, Krasniqi dhe të gjithë ata që i kam cekur më lart, sepse, të gjitha Organizatat e formuara në vitet e '70-ta, pra, LNÇKVSHJ-së , OMLK-ja, dhe me dhjetëra grupe tjera në mbarë Kosovën dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, kishin lidhje familjare, miqësore apo shoqërore me veteranët e Lëvizjes së përgjithshme gjithëkombëtare. Pra, djemtë dhe vajzat e asaj kohe, nuk mund të mashtroheshin nga KGB-ja, UDB-a apo agjenturat e shërbimeve tjera të huaja, për të "prishur", atë çka "u arrit" në epokën e Titos. Neve, na gëzonte fakti se, rinia shqiptare kërkonte lirimin tonë nga burgjet. Nga frika se protestuesit mund t’i sulmonin burgjet, neve, që vuanim dënimet politike na larguan menjëherë, nëpër burgjet famëkëqija të Serbisë. Neve, na gëzonte fakti se me shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, njëherë e përgjithmonë, rinia shqiptare ishte shkëputur nga "vëllazërim-bashkimi" i rrezikshëm, që kishte për qëllim, krijimin e kombit të ri jugosllav nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, me kulturë, me muzikë, me sport, me martesa, dhe me përpjekje tjera, për ta asimiluar rininë shqiptare. Shembullin më të mirë për këtë krijesë hibride jugosllave, e kishte dhënë ish-udhëheqësi i rinisë jugosllave, Azem Vllasi, i cili ishte regjistruar si jugosllav.
Sipas mendimit tënd, deri kur ka vepruar si organizatë, LNÇKVSHJ-ja?
- Në realitet, marrë si vazhdimësi, anëtarët më të devotshëm të Lëvizjes sonë e kanë vazhduar aktivitetin pandërprerë, deri në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, - UÇK-së, famëmadhe.
- LPRK-ja, më vonë LPK-ja, si vazhdimësi e Lëvizjes gjithëpopullore, në udhëheqësinë e vet, kishte anëtarët më konsekuentë të OMLK-së, LNÇKVSHJ-së, e të shumë grupeve të tjera, që kishin vepruar pa u ndalë kundër okupatorit serbo-sllav. Mirëpo, De facto: LNÇKVSHJ-ja, u shua si subjekt me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës. Praktikisht, me vrasjen e Jusufit dhe Kadriut, të cilët ishin pionierët e bashkimit të mirëfilltë të të gjitha organizatave patriotike në Kosovë dhe në viset tjera të ish RSFJ-së, do të zbehet edhe aktiviteti organizativ, që do të zgjatë deri në lirimin e të dënuarve të ndërgjegjes kombëtare, sidomos të atyre, që u gjykuan për organizimin e demonstratave të vitit 1981. Kurse, De jure: Aktiviteti i LNÇKVSHJ-së u shua një muaj pas atentatit makabër që u bë në Shtutgart më 17 janar të vitit 1982. Pra, një muaj, pas rënies heroike të dëshmorëve të lartpërmendur, më 17 shkurt të vitit 1982.Në Turqi, Sabri Novosella, në emër të LNÇKVSHJ-së, dhe Abdullah Prapashtica, në emër të PKMLSHJ-së, pa e përfillur OMLK-në, me të cilën, Jusufi e Kadriu, i kishin bashkuar aktivitetet nga viti '81, në prezencën paternaliste të diplomatit të shtetit shqiptar në Turqi, Bujar Hoxhës, - shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).
Zvicër, Më 17 Mars, 2009
Intervistuan: Fadil SHYTI dhe Kristina RASI
PËRFUNDOI KAPITULLI I PARË I KËSAJ INTERVISTE ME DËSHMI HISTORIKE, PËR VEPRIMTARINË E LNÇKVSHJ-SË, SË SHPEJTI DO TA BOTOJMË KAPITULLIN E DYTË TË INTERVISTËS KU DO TË PARAQESIM NGJARJE HISTORIKE DHE RRETHANA TË BRENDSHME GJATË ORGANIZIMIT TË LËVIZJES ÇLIRIMTARE, TË NDODHURA MË VONË!
__________________________
RINI SHQIPTARE, RINI REVOLUCIONARE!
Shkrimi botohet me rastin e 30 vjetorit, si dëshmi historike?!
Ishte pamfleti i Komitetit të Rinisë, së LËVIZJES NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS ME VISET TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LNÇKVSHJ), që u formua, më 12 mars 1979.
Ky shkrim është redaktuar nga Jusuf Gërvalla dhe publikuar në "Lajmëtari i Lirisë", që doli në muajt gusht 1980, tetor 1980 ,dhe në janar, 1981. Ndërsa, ky shkrim u botua në janar, 1981. Ky qe, një Pamflet kushtrimi, për demonstratat dhe Luftën Çlirimtare, që do të zhvillohej pastaj, në trojet shqiptare, kundër pushtuesve jugosllavë.
Shkruan: Ramadan PLLANA
RINI SHQIPTARE, RINI REVOLUCIONARE!
Na te birt e shekullit te ri
qe plakun e lame ne "shejtnin" e tij, e çuem grushtin për me luftue nder lufta te reja dhe me fitue... (Migjeni) Rini kosovare, rini shqiptare : punëtorë, fshatarë, intelektualë popullorë e studentë, të rinj e të reja të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare të robëruara nga Jugosllavia.
Pararoja e rinisë kosovare ju fton në luftë për çlirimin e tokave tona të shtrenjta nga kthetrat e krajlëve të rinj revizionistë jugosllavë. Lufta e popullit tonë për pavarësi nuk ka pushuar asnjëherë ndër shekuj. Populli ynë e rinia jonë heroike luftojnë deri në çlirimin e të gjitha territoreve nga shovinistët jugosllavë. Dhe për të ecur drejt kësaj rruge të shenjtë, sot duhet t’ia caktojmë vetes detyrat që kërkojnë prej nesh zgjidhje.
Cilat janë qëllimet dhe detyrat e rinisë revolucionare?
Në ditët tona, qëllimet dhe detyrat kryesore janë edukimi edukimi ideo-politik dhe përgatitja e të rinjve dhe të rejave për luftën nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera të robëruara nga klika socialshovenistetitiste.
Vëllezër e motra!
Që në fillim të këtij shekulli, gjysma e tokave shqiptare mbeti nën zgjedhën e huaj. Populli ynë, ndonëse i dëmtuar shumë, nguli këmbë dhe qëndroi i pamposhtur, i pamposhtur para të gjitha stuhive barbare që i ranë mbi kokë. Shkelësit e huaj, të vjetër e të rinj, e fshehën të vërtetën, tradhtinë e sulmet e tyre me pabesi mbi popullin tonë. Ata, bënë marrëveshje e aleanca të poshtra antishqiptare. Armiku u përpoq gjithmonë ta zhdukte qenien fizike të shqiptarëve, për të shkelur e për të grabitur pasurinë e lirinë tonë. Dhe, ky popull martir, i vetmuar e pa përkrahje, u kalit e u bë i pamposhtur përjetë, vetëm në saje të luftës që bëri pa pushuar. Lufta jonë ka qenë gjithmonë e drejtë dhe e tillë është e do të mbetet. Derisa, populli ynë ta arrijë lirinë e plotë në vatër të vet. Të drejtat tona s’ia kërkojmë askujt lëmoshë. Do t’i marrim vetë, me armë në dorë, si na e lanë amanet Skënderbeu, Abdyl Frashëri e Ismail Qemali. Populli nuk i harron kurrën e kurrës heronjtë e vet... Duke ruajtur kujtimin e tyre, ne ruajmë besnikërinë, guximin, nderin dhe moralin e popullit. Rrallë në botë mund të ketë ndonjë popull, si yni, duke e kultivuar ndër shekuj, e ruan, aq të gjallë kujtimin e heroit të vet legjendar, siç është për ne Skënderbeu i pavdekshëm. Kujtimi i tij po përtërihet edhe më shumë sot, që, populli vëlla në Shqipërinë socialiste e ka marrë plotësisht në duar të veta fatin. Në Shqipërinë socialiste dhe në Kosovë përditë lindin trima; nga gjiri i të cilëve do të dalin heronj, siç ishin në të kaluarën Skënderbeu, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli, Çerçiz e Bajo Topulli, Avni Rrustemi, Azem e Shotë Galica, Tringa Smajli, Mujo Ulqinaku, Selam Musai, Ali Kelmendi, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima etj. etj. Ata, po i rrit sot dora e kujdesshme e nënës parti, në krye me birin e saj të shtrenjtë, stërnipin e Skënderbeut - shokun Enver Hoxha.
Rini shqiptare, rini përparimtare!
Borgjezia socialshoviniste titiste, si dhe gjithë armiqtë e tradhtarët e popullit shqiptar dhe veglat e fuqive të huaja, po punojnë ditë e natë për ta mashtruar me gjithfarë demagogjish popullin tonë. Pasi nuk ia dolën ta mposhtnin me dhunë Kosovën Kreshnike, serbomëdhenjtë dhe të gjithë titistët kanë zënë të ndryshojnë faqe, ata tash po përpiqen « ta zbusin » këtë popull « kokëfortë » me mjete demagogjike, vetëm e vetëm për ta shmangur shqiptarin nga lufta e tij e drejtë.
Mjeti kryesor i titizmit për ta mbajtur edhe ndonjë ditë në robëri Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, është degjenerimi ideologjik e politik i popullit dhe veçanërisht i rinisë. Titistët përhapin dhe propagandojnë degjenerimin e rinisë në të gjitha sferat e jetës, me qëllim që ta çoroditin në ideologji e moral, të nxisin tek të rinjtë anarki e prirje për aventurizëm në një jete »pa ideal. Vetëm kështu ata mund ta largojnë popullin nga rruga revolucionare. Ata gëzohen për ndikimin që ushtron propaganda borgjeze revizioniste mbi popullin dhe rininë tonë. Bëjnë gjumë të rehatshëm kur shohin penetrimin e degjenerimit në mënyrën e jetesës së kalbëzuar perëndimore dhe kështu sigurohen se po ia zgjasin vetës jetën edhe për një ditë. Kur shpirti i popullit helmohet, ata mund të jetojnë ende në kurriz të tij, duke e shtypur ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht. « Vetëqeverisja » dhe « liria » e tyre, nuk janë gjë tjetër, pos armë politike për degjenerimin e popullit tonë, në veçanti, dhe te popujve të Jugosllavisë përgjithësisht. Çdo veprim dhe çdo aksion i titizmit ndaj Kosovës, edhe kur merr maskë të përshtatshme ideologjike, politike e shoqëror , synojnë vetëm e vetëm të mashtrojnë popullin në mënyrë që ta pasivizojnë e ta largojnë nga rruga e tij e luftës për pavarësi. Rinia revolucionare dhe populli ynë nuk janë mashtruar e nuk mashtrohen dot me fraza titiste të « demokracisë së kulluar », sepse ne ushqehemi me ndjenjat patriotike e socialiste.
Populli ynë, që nga revolucioni i madh i Tetorit i udhëhequr nga Lenini e Stalini, ka parë se nuk ka rrugë e miq më të mirë se marksizëm-leninizmi dhe nuk beson në të tjera ideologji, që i shquan dogma e demagogjia. Edhe Plaku i Maleve, Bajram Curri, pat thënë se Shqipëria e Kosova do të çlirohen vetëm kur të ketë ngadhënjyer ideja e Leninit. Jap, sepse populli dhe rinia përparimtare shqiptare nuk mashtrohet me dogma titiste e hrushoviane. Kushtetuta jugosllave, si çdo kushtetutë tjetër borgjezo-revizioniste , ka në vete indikacione të qarta se «çdo paragraf i kushtetutës në vete të kundërtën e vet… në frazën e përgjithshme - lirinë, në rezervë - zhdukjen e lirisë» ( K. Marks - F. Engels, Vepra të zgjedhura, vëll. I, faqe 265, Tiranë, 1975. Ne, rinia dhe populli shqiptar, jemi të bindur se vetëm duke e rritur dhe duke e forcuar luftën tonë kundër robëruesve social-fashistë, do të dalim njëherë e përgjithmonë nga zgjedha ekonomike, shoqërore, politike e ushtarake e këtyre egërsirave të vjetra, të veshura me lëkurë qengji. Ne jemi të fortë, se forcën e kemi te gjiri i popullit të robëruar. Kjo forcë, është kalitur nëpër shekuj me luftëra të pareshtura kundër barbarëve të ndryshëm, kundër « shtatë krajlive », dhe nuk ka stuhi as rrebesh që mund të na mposhtë.
Rini heroike!
Luftën kundër hordhive shoviniste sllave, nuk duhet ta ndajmë nga lufta kundër shërbëtorëve të tyre, të cilët kanë dalë nga llumi i radhëve të popullit tonë. Bejlerët dhe agallarët e dikurshëm sot janë zëvendësuar me kryetarë komitetesh të « komunistëve », me kryetarë komunash e shefa të ndryshëm të aparatit titist. Dhe këta bejlerë sot kane »një parajsë më të bukur se bejlerët e dikurshëm të sulltanit. Pos rrogave (lexo : kockave që ua hedh armiku i popullit tonë), këta kanë vila, pallate, vetura, dashnore a la europeo etj. Bashkë me klikën e Beogradit dhe me një pjesë të klerit, ata po i « shërbejnë » popullit, duke e këshilluar që ta pranojë « vëllazërim-bashkimin » në Jugosllavinë titiste, sepse , sipas tyre, në botë s’paska pasur asnjëherë »këso « lirie». Njëmend, « komunistë » të dashur të Titos, « liri » të tillë nuk ka pasur ky popull. Jemi fare të lirë të dalim në Perëndim e ta shesim fuqinë e krahut, të rrimë këtu e të helmohemi ideologjikisht, duke bredhur pas muzikës së huaj degjeneruese dhe duke vallëzuar me muzikë bit, rrok e hop, duke shikuar filma amerikanë, duke u veshur me rroba të çoroditura, duke lexuar revista pornografike etj., etj. Në vend që të brengosën për këtë »turp historik, « baballarët » e Kosovës « merakosën » se po u « degjenerohet » rinia me « dogma » nacionaliste apo staliniste » (kupto : patriotike apo marksiste-leniniste), duke ua prishur atyre rehatinë. Ndërsa, kur bëhet vëllavrasje, në kushtet e anarkisë dhe të ligjeve të të kolonizuarve, që e vrasin shoqi-shoqin duke menduar se po e vrasin kolonizatorin, këta « ustallarë » mbyllin sytë dhe shtiren të verbër. Kështu e ka logjika e tyre, sepse, sa të ketë « të marrë », do të ketë bukë edhe për bejlerë. Shoku Enver thotë se, «shekuj me radhë, në vendin tonë kanë sunduar marrëdhëniet patriarkale. Pushtuesit e huaj e tradhtarët e vendit e kanë nxitur kriminalitetin për të përçarë e sunduar më lehtë masat punonjëse. Bashkë me klerin reaksionar, që ka luajtur kurdoherë kartat e të huajve në kurriz të popullit, ata kanë luftuar për të rrënjosur koncepte, zakone, tradita e shprehi të botës së vjetër, «njollat» e të cilave, akoma, edhe sot shfaqën në jetën dhe në punën e përditshme të disa njerëzve, në qëndrimin e tyre ndaj punës, pronës, shoqërisë, familjes etj., etj… Shkaku i jashtëm i tij, vazhdon shoku Enver, është »diversioni ideologjik imperialisto-revizionist…armiqtë e vendit tonë, imperialistët dhe revizionistët, përdorin të gjitha format e mjetet e propagandës së tyre, si radion, televizionin, filmin, shtypin, përfaqësuesit diplomatikë e tregtarë, turistët, marinarët, shoferët, grupet kulturo-sportive, komunikimet postare etj., për të ndikuar mbi njerëzit tanë moralisht e politikisht, për t’i hedhur ata në rrugën e kriminalitetit dhe gradualisht, po të mundin, për t’i shndërruar kontradiktat në gjirin e popullit në kontradikta antagoniste. Ata luftojnë të përhapin zbrazëtirën shpirtërore dhe morale të vendeve të tyre, të ndikojnë sidomos në rininë tonë nëpërmjet normave të tyre etike dhe estetike» ( E. Hoxha, Raporte dhe fjalime 1970-1971, f.304 ). Kundër këtyre rrymave dekadente e degjeneruese është e domosdoshme të luftohet ditë e natë dhe pa kompromis. Për sa t’i lëmë të shfaqën këto koncepte të huaja në jetën tonë. Për aq do të bëhet më i vështirë uniteti ideo-politik i rinisë e popullit, dhe nuk do të ruhet në masë të nevojshme morali i pastër popullor nga ndikimet e huaja shkatërrimtare. Agjitacioni dhe propaganda jonë patriotike dhe marksiste-leniniste duhet të zhvillohet në biseda të lira me shokë e shoqe, në shtëpi, me vëllezër e motra, në shkollë, në punë etj.
Bisedat duhet të zhvillohen me gjakftohtësi e durim, duke iu përshtatur rrethanave e kushteve konkrete. Të luftojmë. Pra, me vendosmëri patriotike e revolucionare dhe pa u ndalur kundër çdo shfaqje te »huaj dhe kundër të gjithë atyre që përhapin këtë degjenerim. Në mënyrë që morali i rinisë dhe i popullit të ruhet kurdoherë i pastër.
Udhëheqësia «shqiptare» e Kosovës është »këmbë » e krye në shërbim të klikës së Beogradit. Asaj nuk i ka besuar kurrë populli, sepse ajo përfaqëson klasën sunduese në shërbimin e një shteti armik. Kjo udhëheqësi ka tradhtuar dhe është vegël ne »dorën e të huajit.
Redaksia e gazetës «Shkopi», që dilte në Kajro, në një letër të d. 6 maj 1908. Që ia drejtonte parisë së vërtetë shqiptare për të ndihmuar Lëvizjen Kombëtare, shkruan, ndër të tjera, se bejlerët, pashallarët dhe funksionarët e tjerë shqiptarë, shërbëtorë të Perandorisë Turke, «jo vetëm që s’janë parësi dhe shqiptarë, po s’janë as njerëz ! Janë njerëz vetëm nga fytyra, pse kanë këmbë e duar si të njeriut. Nga ndjenjat janë si ay, që ha kopaçen e ikën duke angullitur, dhe pastaj, po t’i hedhësh një kockë, kthehet dhe të lëpin këmbët » (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878 - 1912, Tiranë, 1978, f. 183). A kanë humbur gjë nga aktualiteti i vet edhe sot e kësaj dite këto mendime të rilindëseve tanë? A nuk ua lëpijnë këmbët xhelatit Tito me kompani Fadil Hoxha e këlyshët si ai, të cilët kurrë nuk kanë pushuar së lëvduari zotërinë e tyre. Kur populli ynë torturohej dhe largohej me dhunë nga trojet e veta, ai jo vetëm që nuk i mbronte të drejtat legjitime të popullit, por edhe e sulmonte udhëheqësinë e Shqipërisë , kur kjo vihej në mbrojtje të të drejtave tona. Fadil Hoxha, Xhavit Nimani e kompania kanë qenë antishqiptarë, dhe të tillë kanë mbetur. Ata edhe sot po e akuzojnë Shqipërinë nënë për përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë!
Po frazave boshe të Fadilit me shokë nuk ua vë veshin populli as rinia dhe as që ka provuar ndonjëherë t’u besojë atyre. Rinia heroike kosovare është dhe kurdoherë do të jetë e Partisë së Punës të Shqipërisë, e mësuesit dhe shokut tonë më të dashur - Enver Hoxha.
Poshtë klika tradhtare e Fadil Hoxhës!
Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë! Rroftë sa malet Enver Hoxha! Shokë e shoqe!
Përparimi, kultura, morali, ndershmëria dhe besnikëria, te populli ynë kanë qenë gjithmonë kërkesa të lidhura ngushtë me jetën, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte. Dhe nëse një shqiptar e ka përqafuar një «civilizim» të imponuar me dhunë nga armiku, ai nuk është quajtur shqiptar po tradhtar.
Këngët folklorike, arti dhe i tërë thesari ynë kulturor, i trashëguar ndër shekuj, kanë lindur në punë, në jetë, në luftë. Folklori ynë është biografi e popullit, këngët tona janë histori dhe shkollë popullore. Ato e kanë ruajtur të gjallë gjuhën, traditën, nderin, moralin, besnikërinë dhe trimërinë ndër shekuj te ky popull heroik dhe i paepur. Kush largohet nga këto tradita, ka rrezik të largohet edhe nga shqiptarizmi. Kush po përpiqet ta hedhë në harresë këtë thesar të popullit në ditët tona ? Armiku i popullit, i jashtmi dhe i brendshmi. Propaganduesi i kulturës borgjezo-revizioniste po bën çmos për ta larguar rininë dhe popullin tonë nga rruga dhe nga kultura kombëtare. Përpiqen ta mashtrojnë rininë, duke llomotitur, kinse në Jugosllavi paska « liri shtypi », « të drejta » kombëtare të të gjitha kombeve dhe kombësive, paska gjoja liri fjale dhe demokraci të vërtetë në të gjitha sferat e jetës. Këtyre dokrrave nuk u beson rinia jonë, sepse « kapitalistët…quajnë « shtyp të lirë » një gjendje të tillë kur hiqet censura dhe të gjitha partitë botojnë lirisht çfarëdo gazetash. Në të vërtetë, kjo nuk është liri shtypi, por liri për të mashtruar masat e shtypura e të shfrytëzuara të popullit nga pasanikët , nga borgjezia » (V. I. Lenin, Vepra, vëll. 25, f. 444). Po të kishte liri të vërtetë shtypi në Jugosllavi, do të shtonim ne, pse atëherë largohen nga puna dhe mbyllën nëpër burgje ata gazetarë që, në mënyrë të tërthortë a të drejtpërdrejtë, marrin zemër të thonë ndonjë fakt për gjendjen e vërtetë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi ; pse merren në përgjegjësi të lartë gazetarët që përpiqen t’ia ndalin hovin muzikës së huaj degjeneruese, shundit, pornografisë dhe dukurive të tjera, të huaja për një shoqëri socialiste, e sidomos për traditën tonë. Gazetat dhe revistat jugosllave, bashkë me ato të Perëndimit, shpërndahen me të madhe edhe në Kosovë. Edhe televizioni, kinematë dhe radioja propagandojnë ditë e natë shthurjen dhe degjenerimin në radhët e rinisë sonë. Këtyre s’u mungojnë as ndihmat e Radio Prishtinës, të gazetave e të revistave kosovare të «parësisë» së «civilizuar» a la amerikano. Radio Prishtina popullarizon me zell të madh yjet e muzikës së shfrenuar perëndimore.
Shpresat e borgjezisë kosovare nuk do të sendërtohen kurrë. Sa janë të huaja për ne « yjet » e Perëndimit, do të jenë të huaj edhe bartësit e kulturës dhe të muzikës perëndimore tek ne. Ata nuk do të simpatizohen kurrë nga rinia jonë. Këmbët tona popullore të reja dhe muzika që krijohet sot te ne, do t »përvetësohen vetëm kur janë të frymëzuara nga realiteti dhe tradita jonë. Lidhur me këtë, shoku Enver na mëson se këngët duhet « të jenë kurdoherë të mbështetura jo vetëm aty-këtu në ndonjë akord a motiv në trashëgiminë tonë kombëtare, por të jenë të frymëzuara nga krijimtaria, puna dhe aspiratat e këtij populli dhe atij t’i kushtohen, atij t’i pëlqejnë, atë ta ngrenë peshë».
Për borgjezinë dhe për rininë e shthurur borgjezo-revizioniste bëhen «yje» ata artistë e këngëtarë, apo ata sportistë, që në sjellje largohen sa më tepër nga elementi i vet themelor, ai i njerëzisë. Boksieri bëhet i famshëm kur ia thyen hundët shokut të vet, apo njeriut tjetër. Të rejat borgjeze arrijnë famë kur e shesin nderin te padronët dhe kur u shkon për dore të bëjnë sa më shumë dashnorë. Fama e tyre e arrin kulminacionin në disko-klub, sidomos kur i angazhon dikush me ndonjë rol në film, kur mund ta zhveshin lakuriq para botës bukurinë e tyre të shëmtuar. Për rininë borgjezo - revizioniste fama, paraja, nudizmi, pornografia, kurvëria dhe, eventualisht, dashuria sa më e shthurur, janë gjërat më të shtrenjta në botë.
Propaganduesve te kësaj « kulture » ne u themi se nuk kemi nevojë për tjetër kulturë, pos pjesës më të shëndoshë të kulturës shqiptare, e cila përputhet me atë socialiste. Ne huazojmë edhe nga tradita e mirë e kulturës së cilitdo popull. Sepse asnjë popull nuk mund të mjaftohet vetëm me kulturën e vet. Por, ne huazojmë ato vlera, që paraqesin pjesën më pozitive të kulturës dhe të ecurisë së përgjithshme njerëzore. Dhe jo kulturën e egërsuar të Perëndimit. Ne nuk na kanë munguar këngët tona dhe yjet tona. Ato i kanë kënduar e i këndojnë heroit e heroinës së vet, gjithë atyre martirëve që e kanë shkrirë jetën e vet për të na siguruar neve dite më të mira, për mbrojtjen dhe bashkimin e tokave shqiptare. Sot, nga zemra tona burojnë këngë të reja për Enver Hoxhën e për Partinë, për Kosovën e robëruar dhe Shqipërinë e lirë - kështjellë të revolucionit. Dhe s’ka furtunë që na largon nga tabani kombëtar i kulturës.
Veglat e klikës së Beogradit përpiqen të na bëhen prag për trashëgiminë e mbarë të këngëve patriotike e revolucionare që ka kënduar populli ynë. Na thonë se nuk duhet të këndojmë kundër Drazhës e Rankoviqit, nuk duhet t’u këndojmë heronjve tanë dhe flamurit, sepse, thonë ata, duke kënduar kështu, nxitet nacionalizmi (lexo: patriotizmi) dhe prishet «vëllazërim-bashkimi». Shihet qartë se titistët kosovarë që moti janë vëllazëruar me drazhistë e rankoviqistë, ata duan të thonë se Jugosllavia vetëm një Drazhë kishte, vetëm një Rankoviq, një Ivo Andriq, një Marko Nikoziq e një Latinka Peroviq. Thua se trashëgimtarët e këtyre, secili më i zi se shoqi, nuk mbijnë ditë për ditë nga gjiri i Serbisë hegjemoniste si këpurdhat, me porosinë e lashtë që të rritet për ta shfarosur popullin shqiptar. Por, çka s’dinë, apo çka nuk duan të dinë renegatët tanë, e di populli ynë i pagabueshëm. Populli shqiptar i Kosovës e di se vëllazërim të vërtetë mes popujve do të këtë »vetëm atëherë. Kur të gjithë popujt ta marrin fatin e vet dhe kur secili të bëhet zot i tokës së vet.
Duke parë se nuk mjafton kultura borgjeze për ta shthurur e degjeneruar rininë kosovare, këto vegla të ndyta e nxisin reaksionin dhe llumin, që ky të krijojë « vepra artistike », që glorifikojnë veprën mizore të okupatorit fashist jugosllav. Disa nga « rapsodët » titistë, mercenarë të politikës asimiluese jugosllave, thurin këngë lavdie për PKJ dhe xhelatin Tito. Për fat të mirë, duke pasur shpirt të korruptuar, ndërgjegje prej tradhtarësh e frymëzim të dyshimtë, autorët e tyre nuk mund të bëjnë për vete as pjesën më të vogël të popullit e te rinisë. Ata mbesin duke e çjerrë vetëm për hir të incizuesve në studion e Radio Prishtinës dhe për ndonjë nëpunës të kalbëzuar të UDB-së. «Krijimet» e tilla të «autorëve» kosovarë, në cilëndo lëmë të krijimtarisë që të shfaqën ato, populli dhe rinia jonë s’i percepton ndryshe pos si një absurd të neveritshëm me qëllime të tejdukshme propagandistike. Në anën tjetër, këngë me tema grindjesh e vëllavrasjesh ndërmjet familjesh shqiptare, s’ka si të interpretohen ndryshe pos si nxitje e re për vëllavrasje e kriminalitet, për të cilin përgjegjësinë e ka kryekëput qeveria jugosllave.
Fashizmi nuk lejonte, në vitet e luftës, të dëgjoheshin në radio emisionet e aleatëve, që informonin për gjendjen në frontet e ndryshme antifashiste... UDB-ja jugosllave nuk lejon sot të dëgjohet radioja e të vetmit vend socialist në botë, Radio Tirana. Ka frikë UDB-ja se bëhemi socialistë!
Po të kish qenë Jugosllavia vend socialist, çfarë dëmi do të kish pasur ajo nëse ne ngritemi ideologjikisht e pajisemi me vetëdije marksiste-leniniste duke dëgjuar emisionet e Radios Shqiptare, në gjuhën amtare ?! Po e vërteta është se ata i frikësohen pikërisht marksizëm-leninizmit i cili ne do te na i hapë sytë për lufte »çlirimtare e revolucion. Prandaj infiltrojnë agjentë e provokatorë në masë, me qëllim që të shkaktojnë pasiguri e frikë te populli dhe rinia.
Por, mashtrohen këta zotërinj. Siç janë mashtruar të gjithë armiqtë e vjetër e të rinj përpara qëndresës sonë këmbëngulëse kundër vlerave dhe frymës së huaj. Rinia jonë nuk trembet kurrë nga dredhitë dhe presionet e tyre. Trimëri e guxim i kemi të trashëguar brez pas brezi, kurse qëllimi i madh që kemi sot përpara, na bën edhe më të pathyeshëm. Jemi betuar se do të ndjekim shembullin e Qemal Stafës, Vojo Kushit, Sadik Stavilecit dhe Gjergji Martinit, shembujt e Perlat Rexhepit, Branko Kadisë e Jordan Misjes, të Bule Naipit e të Persefoni Kokëdhimës. Ne do të çojmë në vend amanetin e Rinisë Komuniste Shqiptare të orëve të para, që dhanë jetën në LNÇ. Siç është ky amanet i Manush Ali Manit, sekretar i Rinisë për Shkodër, i cili, më 29 maj 1944, kur kishte vetëm 19 pranvera, u dërgoi këtë letër shokëve te »Qarkut të Partisë:
«Po ju shkruaj nga qelia e Gestapos për herën e fundit. Dhjetë ditë tortura, tri ditë e net pa ngrënë e kanë lodhë trupin tim. Por qëndroj nalt, moralsht. Jemi para fitores, prandaj mos u dëshpëroni. Këtu që të gjithë më thërrasin «kriminel». Ka tepër pak shpresë për mue. Qëndrimi im përpara vdekjes do të jetë: Rroftë Lëvizja Nacionalçlirimtare ! Rroftë Partia Komuniste Shqiptare! Ju vijoni punën me kujdes dhe përgatituni për hakmarrjen popullore. »Mburremi që jemi bij e bija të kësaj toke, e cila gjithmonë lindi pa kursim heronj e heroina. Do të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë» mbi armiqtë titistë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë » e be¨ra mbi popullin tonë.
Shokë e shoqe, revolucionarë!
Për t’i bërë të realizueshme aspiratat tona, lypset guxim, trimëri, vigjilencë, vendosmëri dhe sakrifica. E këto virtyte nuk i kanë munguar popullit dhe rinisë sonë. Lufta kundër armikut shekullor shkon krah për krah me luftën kundër shfaqjeve e dukurive të huaja, që paraqiten në mesin tonë. Nuk duhet të harrojmë se me shfaqjet e ideologjisë borgjezo-revizioniste, te i riu dhe e reja jonë hyn në mënyrë të pavetëdijshme ndikimi i huaj. Prandaj, shfaqjet e tilla duhet të luftohen kudo, në familje, në shkollë – siç na porosit rilindësi ynë i madh, Sami Frashëri : «Kush të na qëndrojë përpara e të na ndalojë në këtë rrugë të shenjtëruar, ta shtyjmë, ta rzojmë, ta shkelim e të shkojmë tutje.»
Rini kosovare, rini shqiptare, të rinj punëtorë e fshatarë, intelektualë e studentë, nxënës të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare të robëruara nga Jugosllavia!
Rinia e organizuar revolucionare e Kosovës kreshnike ju fton të bashkoheni në radhët e saj dhe, te gjithë tok, në unitetin e çeliktë popull-rini-parti, të ecim drejt revolucionit tone të shenjtë. Vetëm të bashkuar e te »vendosur, me besën e madhe shqiptare, me ideologjinë marksiste-leniniste, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt.
E ardhmja u takon popujve e socializmit, ajo na takon neve.
Përpara, për lirinë e Atdheut!
Rroftë populli shqiptar!
Rroftë rinia jonë heroike!
|
Në 30 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka
DËSHMI TË KOHËS PËR LNÇKVSHJ-në
Përkujtim - me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Metush Krasniqit - viganit të Shqipërisë Etnike.



Shkruan: Ramadan Pllana
Shkruan: Ramadan Pllana
powered by Beepworld