Të jesh patriot nuk është mëkat!

 

 

 

FEHMI LLADROVCI

DHE IDEJA E PATRIOTIZMIT

 

 

Shkruan: Mr. Sabri Kiçmari ( * )

 

 

     Jean Jacques Ruso ka shkruar në “Kontratën sociale” se “njeriu lind i lirë, por ai gjithkund është në pranga”. Prangat e vëna nga të tjerët nuk hiqen vetvetiu. Dhe ata që veprojnë për heqjen e tyre e meritojnë emrin e patriotit. Ideja e patriotizmit, si e tillë, dhe patrioti, si aktor shoqëror, edhe pse kanë pasur prezencë të ndjeshme praktike në shoqërinë kosovare të njëzetë viteve të fundit, nuk janë shqyrtuar në përmasën e mjaftueshme as nga mediat dhe as nga shkenca kosovare. Si shkas i një persiatjeje të tillë rreth nocionit të patriotizmit më shërbeu një datë e rëndësishme: afrimi i pesëvjetorit të rënjes së heroit të kombit Fehmi Lladrovci. Fehmiu u vra së bashku me të shoqen në një betejë të zhvilluar mes UÇK dhe forcave serbe më 22 shtator 1998 në Drenicë. Pas vetes la dy shembuj për gjeneratat: veprën e pashembullt të patriotit dhe ndjenjën e vetëflijimit për hir të çlirimit të atdheut.

 

     1.

     Dy përfaqësuesit më eminent të filozofisë politike bashkëkohore, Charles Taylor dhe Alasdair MacIntyre, e kanë marrë së shqyrtuari  nocionin e patriotizmit. Taylor e radhit patriotizmin diku ndërmjet shoqërisë dhe ndjenjës familjare, në njërën anë, dhe vetëmohimit altruistik, në anën tjetër dhe e përkufizon atë si një identifikim të përbashkët me një bashkësi historike të ndërtuar mbi bazën e vlerave të caktuara.“ 1 Taylor profetizon rolin e patriotizmit edhe për të ardhmen si një kështjellë të fortë të lirisë... pa mundur të zëvendësohet me diçka tjetër.“ 2 Sipas MacIntyres patrioti i përkushtohet veçse një mënyre të caktuar të lidhjes së një të kaluare, e cila e ka veshur atë me një identitet të dallueshëm moral dhe politik, me një të ardhme për këtë projekt që është kombi i tij dhe që ai ka përgjegjësinë për ta sjellë në jetë. Veçse kjo besnikëri është e pakushtëzuar, ndërsa besnikëritë ndaj qeverive të caktuara, apo formave të caktuara të qeverisjes, si edhe ndaj udhëheqësve të veçantë, janë krejtësisht të kushtëzuara nga përkushtimi i tyre për ta çuar edhe më tej këtë projekt dhe jo për frenimin ose dobësimin e tij.... Kështu që njeriu mund të jetë patriot kundrejt një kombi, pavarësia politike e të cilit nuk ka ardhur ende...“ 3  Pra, siç shihet, filozofia politike bashkëkohore nuk e ka tejkaluar idenë e patriotizmit. Në shoqërinë amerikane mbizotëron patriotizmi kushtetues. Politikanët amerikanë shtyhen mes veti rregullisht se cili prej tyre është më patriot. 4 Të jesh patriot nuk është mëkat. Mëkat është nëse ndjenjën e të qenit patriot do ta kuptosh si motiv për të nënçmuar popujt e tjerë. Këtu është kufiri në mes të patriotit dhe nacionalistit.

Klikoni mbi foto:

 

     2.

     Në Grevën e urisë, të organizuar në Bonn, në maj të vitit 1996, kishim vendosur të bënim përpjekje për të zgjuar nga letargjia tri segmente të politikës shqiptare:

·        qeverinë e Shqipërisë,

·        “institucionet paralele” të Kosovës dhe

·        subjektet e organizuara shqiptare në mërgim.

     Njëkohësisht dëshironim të paralajmëronim qeverinë gjermane se marrëveshjet me Millosheviqin (si ajo Kinkel-Millosheviq) për dhe rreth qytetarëve të Kosovës kanë po aq legjitimitet, sa një përfaqësim i Republikës Federale Gjermane nga ekstremisti i majtë Gregor Gysi (PDS). Na vizituan një i dërguar i Ministrisë së Jashtme gjermane (Bernd Borchardt) dhe një deputet i Parlamentit (Dr. Eberhardt Brecht, SPD), kurse nuk denjoi të dëgjonte argumetet tona asnjë i dërguar nga qeveria e Shqipërisë, as nga “institucionet paralele” të Kosovës. Fehmi Lladrovci qëndroi në ballë të grevës, këmbëkryq, me fytyrë të buzëqeshur dhe krejtësisht i paepur për dy javë me radhë. Në fund të Grevës bëri një paralajmërim, për dhjetëra bashkatdhetarë që kishin ardhur dhe mblidheshin rreth tij, në qendër të kryeqytetit gjerman: “Nuk e kemi vendosur të vdesim në grevë urie. Ky ishte vetëm një paralajmërim për politikën shqiptare, që të zgjohet nga gjumi që e ka kapluar. Ne do ta vazhdojmë rrugën drejt lirisë. Dhe do ta fitojmë atë!”( *  Lexoni në fund shtojcën e pashtriku.org )

 

     3.

     Tek po i analizonim rrethanat e krijuara, në shkurt të vitit 1997, së bashku me një të dërguar nga Kosova, mundoheshim të arrinim në një përfundim përmbajtësor: “Cili mund të ishte momenti i përshtatshëm për të filluar Luftën e Përgjithshme Çlirimtare?” Të tre ishim të bindur se gjendja e përgjithshme shkonte në favor të organizimit të Luftës Çlirimtare, por nuk ishim të sigurtë se disponimi për një veprim të tillë ishte shpërndarë gjithanshëm nëpër viset e pushtuara. Në përfundim të këtij takimi, Fehmiu mori një pamje të buzëqeshur, sytë i ndrinin dhe me një zë gjithë gaz tha: “Këtë vit lufta do të filloj në Kosovë! Unë e parandjej atë! E kam përjetuar luftën në Kroaci dhe e kam pasur të njëjtën parandjenjë!” U ndalëm dhe e vështruam me vëmendje. Ishte i sigurtë në ato që thoshte. M’u kujtuan fjalët, që një veprimtar dhe analist i shquar i lëvizjes sonë për pavarësi i kishte thënë në burg, në momente të tilla, kur analizat politike të tij nuk kishin patur konkordancë të mjaftueshme me intuitën parashikuese të Fehmiut: “Intuita e luftëtarit të lirisë i tejkalon përmasat e analistit politik!” Dhe kishte pasur të drejtë!

 

     4.

     Do të udhëtoja nga Gjeneva (Zvicër) për në Vjenë (Austri). Pas një konference shtypi, të mbajtur së bashku me Bardhyl Mahmutin, shkoja për të marrë pjesë në një tubim të bashkatdhetarëve në Austri. Derisa pritja në rend për të nxjerrë biletën, në stacionin e trenit të Gjenevës, më thirri në telefon Agush Buja:

     - “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” - ma dha mandatën.

     Shtanga në vend. Mbeta me telefon në dorë dhe si pa frymë. Nuk jam i sigurtë sa gjatë qëndrova ashtu i shtangur. E di vetëm se radha e qytetarëve, që priste prapa meje, në stacionin e trenit të Gjenevës, atë ditë shtatori të vitit 1998, më shiqonte dhe priste, me qetësinë që i karakterizon zviceranët, derisa të zgjohesha nga makthi i mandatës: “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” Dhe unë nuk dëshiroja të zgjohesha nga ankthi i mandatës. Kishte rënë për liri!

 

     5.

     E ardhmja e individëve, ashtu si edhe e ardhmja e familjeve, bashkësive të organizuara, institucioneve dhe kombeve varet nga vepra e tyre. Përmes  të njohurit të vetvetes, si subjekt, dhe kalimit prej gjendjes në vete në atë për vete 5 individët, familjet, bashkësitë dhe kombet e përcaktojnë të ardhmen e tyre.

·        „A duhet që patrioti të vazhdojë veprimtarinë e tij politike edhe pas fitimit të lirisë, për një të ardhme më të mirë?“

     Në qoftëse gjatë zhvillimit të luftës për çlirim kombëtar, qytetari e ka për obligim të angazhohet për çlirmin e vendit të tij të pushtuar, pas çlirimit ai duhet t’i kthehet vendit të tij të punës, profesionit të tij. Simbol i patriotit në SHBA, që nga 11 shtatori 2001, është bërë zjarrfikësi, kurse në Gjermaninë e viteve gjashtëdhjetë ishte minatori. Edhe pse një pjesë e veprimtarëve për lirinë e Kosovës, pas krijimit të rrethanave të konsiderueshme të lirisë, kanë hequr dorë nga veprimi i mëtejmë politik, shumë nga ata, që përsëritnin pa nda se pas fitimit të lirisë së Kosovës do t’ju ktheheshin profesioneve të tyre, nuk e bënë këtë gjë. Veprimtaria politike përmban në vete njëmijë e një fije, të cilat nuk e lënë lehtë veprimtarin politik të shkëputet nga ajo. Por, ata që nuk kanë forcë të shkëputen nga këto fije, duhet të ndjekin rrugën e profesionalizimit dhe të shkëputen nga vetëmashtrimi i veprimit shumëbinarësh.

 

(Botuar për herë të parë në revistën“Zëri” të datës 19. 09. 2003)

( Pashtriku.org, 22. 09. 2010 )

 

 

 

* )

 

SHTOJCA E PASHTRIKU.ORG

 

( Përgatiti moderatori i pashtriku.org )

 

     Greva e urisë u organizua nën emrin e „Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani“ (BDSHGJ) - (Demokratische Vereinigung der Albaner in Deutschland e.V“.- DVAD). Sipas dokumenteve që i kam në arkivin tim, vendimi për organizimin e grevës është marrë në muajin prill 1996. Në një Deklaratë të lëshuar (më 14 prill 1996) nga Kryesia e BDSHGJ’së, thuhet se: „Greva e urisë organizohet në oborrin e selisë së „qeverisë“ (Lexo: Bukoshi - Sh.B) në Bon (qendra), ku do të instalohet çadra e madhe për grevistë, kurse punkti tjetër përcjellës për publicitete në opinion në qendër të Bonit.“ Në vijim të deklaratës, theksohet, që: „Paraptrakisht kërkohet leje për grevë nga kryeministri Bukoshi, gjegjësisht ministri i drejtësisë Halit Muharremi, e domosdoshme që nga organet gjermane të merret leja përkatëse për atë vend.“ Pastaj, vihet në pah, se, greva do të zhvillohet nën emrin e BDSHGJ’së, se ajo do të drejtohet „nga një këshill organizues prej 3 - 5 vetave“, se lejen për këtë grevë e kërkon „Isë Elshani (i shoqëruar nga Time Dukaj)“, ndërsa zëdhënës i grevës u caktua: Sabri Kiçmari ( i cili do të ndihmohet nga një ekip prej 3 vetave), etj., ndërkaq në fund shtrohen kërkesat e grevës dhe arsyetimi i tyre. Në grevë marrin pjesë anëtarët më të vendosur dhe më të disiplinuar të Nëndegës së Lëvizjes Popullore të Kosovës për Gjermani, në krye me kryetarin Fehmi Lladrovci. Greva ka filluar më 13 maj 1996 (ditë e hënë) dhe ka zgjatur dy javë. Në 12 vjetorin e rënjes së Dëshmorit të Kombit Fehmi Lladrovci bashkë me bashkëshortën e tij Xhevën, pashtriku.org - për herë të parë boton, një Deklaratë të zëdhënësve të Këshillit të Grevës:z. Sabri Kiçmari dhe znj.Violeta Demiri, të lëshuar në ditën e 10 të Grevës së urisë (më 22 maj 1996).

 

 

GREVË E URISË

 

- Dita e 10 -

 

Bonn, e mërkurë, më 22 maj 1996. Të hënën, më 13 maj, ne shqiptarët me qëndrim në Gjermani hymë në grevë të urisë. Greva po mbahet në Bon (Bottler Platz). Meqë ndjehemi të obliguar ta ndihmojmë çlirimin e Republikës së Kosovës nga pushtimi fashistoid i Serbisë së madhe (e vetëquajtur „Republika Federative e Jugosllavisë“), zgjodhëm grevën e urisë si mjet lufte për këtë qëllim.

 

Kërkesat tona janë:

 

I.                  Qeveritë e shteteve anëtare  të Bashkësisë Evropiane duhet sa më parë ta njohin Republikën e Kosovës, duke e tërhequr njëkohësisht  njohjen e njëanshme që i kanë bërë „Republikës Federative të Jugosllavisë“, përderisa ajo e mban Republikën e Kosovës të pushtuar.

 

II.               Qeveria e Bonit duhet ta çfuqizojë marrëveshjen e bërë më 16 maj 1996 me qeverinë kriminele të Beogradit lidhur me kthimin e 120.000 azilkërkuesve shqiptarë në „RFJ“ ngase qeveria e Beogradit nuk është kompetente për këtë. Për fatin e azikerkuesve shqiptarë Qeveria e Bonit duhet të bisedojë vetëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Vetëm marrëveshjet në mes të këtyre qeverive do të respektohen me vullnet të mirë.

 

III.           Kryetari i Republikës së Kosovës, Z.Ibrahim Rugova duhet të japë menjëherë dorëheqje. Politika e tij e ashtuquajtur paqësore dhe sundimi i tij autokratik (në nivelin shpirtëror e moral mbi popullin e pushtuar shqiptar) janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Politika e tij, më në fund u diskreditua si e dështuar edhe me njohjen që i bënë shumë shtete evropiane "Republikës Federative të Jugosllavisë“.

 

IV.            Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të kompletohet e aftësohet për t’ju dalur zot përgjegjësive, që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në vend të ushtrimit të rolit të një lloj servisi financiar (i  Z.Rugova me kompani), si gjer më tani, ose të jap mënjëherë dorëheqje.

 

V.               Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha, duhet ta tërheq përcaktimin e tij, që “Kosovës t´i njihet një autonomi në kuadër të Jugosllavisë së mbetur”, ose të jap dorëheqje. Ky qëndrim i tij bie ndesh me njohjen e Republikës së Kosovës nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin e popullit shqiptar.

 

Të interesuarit mund të informohen për arsyetimet e këtyre kërkesave nga grevistët në Bon. I lusim qytetarët gjermanë, shqiptarë dhe të tjerë për mirëkuptim e përkrahje.

Komiteti i Grevës së urisë

(Zëdhënës: Z. Sabri Kiçmari dhe Z. Violeta Demiri)

______________________________________________________________

Mob.Tel. 0171 855 77 46 & Fax:(0228) 69 61 46

_________________                                                           

Për informata plotësuese:

BDSSGJ (Bashkësia Demokratike e Shqiptarëve në Gjermani) Adolf - Kolping - Platz 6, D-53721 Siegbrug.

BDSHGJ është regjistruar pranë Amtsgericht Siegburg dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë të R. Kosovës.

 

Lexoni dokumentin:

 

_____

-----

 

 

 

 

 

Filozofi

 

 

RAPORTI NË MES TË POLITIKËS DHE MORALIT

 

Shkruan: Dr. Sabri Kiçmari ( * )

 

Politika dhe morali

     Politika dhe morali janë dy nocione, raportet e të cilave mes veti janë mjaft interesante sidomos nga këndvështrimi i politikës si praktikë. Shpeshë herë qytetarët, zgjedhësit, votuesit i ngatërrojnë pa qëllim këto dy nocione. Por, jo rrallë pushtetarët dhe synuesit e pushtetit i ngatërrojnë me qëllim këto dy koncepte. Zbulimi i raporteve të drejta në mes të moralit dhe politikës dhe çveshja e tendencave të pushtetarëve dhe synuesve të pushtetit për të manipuluar me këto raporte është një detyrë që në vendet e zhvilluara industriale me sistem shumëpartiak i obligojnë tri segmente të rëndësishme të shoqërisë:

·        shkencëtarët politikë,

·        filozofët dhe

·        përfaqësuesit e mediave.

     Në rastin e Kosovës kryerja e një detyre të tillë has në vështirësi të theksuara. Së pari shkenca politike nuk ka traditë. Mungesa e Institutit të Shkencës Politike ka lënë pasoja, të cilat nuk mund të riparohen edhe për vite të tëra, në mos decenie. Së dyti, literatura filozofike në Kosovë është më shumë se e mangët. Mospërkthimi fare në shqip, ose përkthimi i vetëm një numri fare të vogël, të librave të klasikëve të filozofisë si Platoni, Aristoteli, Thomas von Aquin, Hobsi, John Locku, Kanti, Hegeli, Kirkegaardi dhe përfaqësuesve të filozofisë bashkëkohore si Edmund Husserl, Bertrand Russell, Karl Jaspersi, Martin Heidegeri, Max Horkheimer, Theodor Adorno, Jean - Paul Sartre, John Rawls, Amitai Etzioni, Jürgen Habermas etj. sigurisht lë pasoja për subvencionimin e të menduarit dhe të vepruarit politik. Së treti, mbizotërimi i skenës mediale për decenie të një botëkuptimi jokritik në raport me politikën, ka lënë pasoja të paevitueshme në mediumet informative të Kosovës.

 

Definimi i moralit dhe etikës politike

     Për të krijuar një pikëpamje për politikën si shkencë është njohja e historisë së ideve dhe koncepteve teorike të filozofisë politike domosdoshmëri. Për të krijuar një pikëpamje të politikës si veprimtari praktike duhet njohur rregullat e sjelljes si politikan në situatat e krijuara politike. Në të dy rastet e dhëna parakusht është dallimi i qartë i raportet në mes të politikës dhe moralit.  Morali paraqet tërësinë e parimeve, normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njerëzve në shoqëri. Etika definohet si disciplinë e filozofisë, e cila në mënyrë metodike dhe sistematike studion veprimin moral. Bazë e studimit të etikës është studimi i mundësisë të një morali të tillë, sipas të cilit ne mund të jetojmë mirë, të veprojmë drejtë dhe të gjykojmë arsyeshëm mbi veprimet dhe jetën tonë. Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Por ajo nuk guxon t´ju nënshtrohet vetëm rregullave morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve). Në veprimtarinë shoqërore-shtetërore janë të njohura të dy dimensionet: si dështimi moral i politikës (i aktorëve politikë), ashtu edhe dështimi i tendencave moralizuese të politikës. Dështim moral i politikanit mund të konsiderohet rasti kur ai, në luftë për pushtet, vë në zbatim mjete të palejueshme morale (fyerja, përcmimi, ndjekja dhe vrasja e kundërshtarit politik). Por, pika kulmore e dështimit të një politikani dhe politikës së tij në tërësi mund të arrihet, në rast se politikani, për të mbrojtur fatin e tij individual, firmos vendime që kanë të bëjnë me fatin e një kombi (ose shtetit), në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e këtij kombi (ose shtetit). Një gjë e tillë mund të konsiderohet si dështim total-fatal i politikanit në aspektin moral. Edhe tendenca e moralizimit të politikës është e gabuar. Moralizimi i politikës mund të sjellë për pasojë heqjen dorë nga pragmatizmi në veprimin praktik politik dhe kufizimi i veprimit brenda një kornize të ngushtë moralizuese, shpesh religjioze ose ideologjike. Po të zbatohet në praktikë një metodë e tillë, atëherë shumë nga Konferencat Paqësore, Marrëveshjet Diplomatike dhe veprime të tjera praktike nuk do të mund të gjejnë zbatim. Këkesa për zbatimin me cdo kusht të rregullave morale në politikë ka si synim përmirësimin moral të njerëzve. Një synimi të tillë shpesh është sqaruar me idenë e krijimit të “njeriut të ri”. Por, mjetet që përdoren për imponimin e moralit të tillë janë të palejueshme. Këtë synim kryesisht mundoheshin të realizonin në praktikë ideologjitë e shekullit të kaluar. Një sistem i tillë u bë për qytetarët i padurueshëm. Për këtë dëshmon dështimi i këtyre shteteve. Derisa për nacional-socialistët sinonim të moralit të lartë paraqiste “Führeri” (udhëheqësi), në vendet e bllokut të lindjes propaganda partiake i paraqiste anëtarët e partisë si shembull të sjelljes morale. Zgjidhja e drejtë e raportit në mes të moralit dhe politikës është një balancë e qëndrushme mes tyre: as zbatim ekskluziv i moralit dhe nënçmim i politikës, por as zbatim ekscesiv i politikës dhe lënje anash e së moralshmes. Sidomos një gjë e tillë duhet të kihet parasysh në situata zgjedhore, kur partitë dhe kandidatët synojnë të arrijnë suksese më të mëdha elektorale. Mungesa e imponimit të së moralshmes nga politika kritikohet se krijon anarki morale dhe shumë të panjohura dhe të papritura për qytetarin. Qytetari duhet të mësohet të jetojë me të ardhmen e panjohur. As vetë politika nuk është në gjendje të parashikojë me saktësi zhvillimet e ardhme. Detyrë e saj është që këto të panjohura dhe të papritura t´i bëjë sa më të lehta për qytetarin. Dhe kjo mund të bëhet duke e përgaditur qytetarin për një shumësi mundësish. Shembulli i mospërgaditjes së Kosovës për një luftë të mundshme kundër Serbisë, e cila në përmbajtje ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme, tregon një paaftësi të nomenklaturës politike që mbisundoi skenën politike të decenies së kaluar.

 

Tre tipe të etikes politike

     Megjithëse paraqitja e të gjitha varianteve të të konceptuarit të etikës politike nga përfaqësuesit e teorisë politike do të kërkonte hapësirë më të madhe shpjegimi të veçorive, metodave dhe përfundimeve të tyre teorike, në këtë rast do të koncentrohem vetëm në tiparet themelore të tre klasikëve të mendimit politik: Aristotelit, Makiavelit dhe Marksit.

 

Etika e qytetarit

     Aristoteli përfaqëson konceptin antropologjik të teorisë politike. Ai e ndërton teorinë e tij mbi Polisin (shtetin) dhe kushtetuten e tij mbi bazën e bashkësisë së qytetarëve. Qytetarët janë për të qenie të arsyshme dhe të afta për të përdorur gjuhën si mjet të bashkëveprimit politik - të krijimit të bashkësisë: pra ai e definon njeriu si zoon politikon (qenie politike). Përmes polisit qytetarët synojnë të rrisin kënaqësinë e tyre dhe përsosmërinë. Konceptimi aristotelian (antropologjik) i politikës i parapriu idesë së të drejtave të individit në shoqëri, të përfaqësuara nga Iluministët dhe  ka një lidhshmëri organike me idenë e shtetit të lirë kushtetues. Koncepti bazë i etikës politike të Aristotelit dhe pasuesve të tij është rregullimi paqësor i konfliktit mbi bazën e një koncenzusi të thirrur në kushtetutën e lirisë. Politika këtu kuptohet si rregullim i përbashkët shoqëror. Shteti drejtohet përmes insitutucioneve të tij dhe ligjeve. Njerëzit bashkohen dhe krijojnë një akt të tillë juridik në dobi të sigurisë më të madhe fizike të tyre. Përmes kushtetutës organizohet jeta e përbashkët e tyre. E metë e aristotelit është kufizimi i të drejtës së të qenit të lirë vetëm për një pakicë të theksuar anëtarësh të polisit dhe përjashtimi i të qenit qytetar me të drejta të barabarta për një shumicë absolute të njerëzve (gratë, robërit, shërbëtorët, fëmijët)  në polis.

 

Etika e pushtetarit

     Nocioni mbi politikën i Machiavellit nënkupton etikën e personit të veshur me pushtet. Pushtimi, mbajtja dhe zmadhimi i pushtetit është për të qëllim i politikës. Morali duhet t´ju nënshtrohet këtyre qëllimeve. Nëse mbrojtja e pushtetit kërkon heqjen dorë të respektimit të moralit, këtë gjë Makiavelli e lejon. Sipas Makiavellit princi duhet të ketë veçoritë e Luanit (forcën) dhe të dhelprës (dinakërinë). Atij i interesojnë teknikat e marrjes së pushtetit nga një individ (Princi) dhe lufta kundër kundërshtarëve politikë që synojnë pushtetin. Ai i analizon të gjitha masat që duhet t´i ndërmarrë pushtetari (diplomatike, luftarake etj) për të realizuar synimet e tij. Synimi i Makiavelit nuk është bashkëjetesa e harmonishme, por sundimi mbi njerëzit. Këto forma të konceptimit moral janë të njohura edhe në praktikën e sotme politike.

 

Etika e një rregullimi hipotetik ideal

     Marksizmi e definon politikën si proces të një ndryshimi të përgjithshëm të gjendjes së përgjithshme shoqërore që ka për qëllim krijimin e një shoqërie (ideale) pa klasa. Pra, teoria marksiste i parashtron vetes një qëllimi hipotetik: arritjen e një rregullimi ideal. Etika marksiste mund të definohet edhe si etikë e revolucionit dhe veprimit revolucionar. Për t´u realizuar qëllimi i luftës klasore, “likuidimi i armikut klasor”, dhe krijimi i shoqërisë pa klasa, pa konflikte dhe pa sundues lejohet të merren parasysh të gjitha mjetet e mundshme.

 

Për një etikë politike kontrolluese të pushtetarëve

     Shtrirë në rrafshin praktik politik në Kosovë koncepti aristotelian është me përparësi. Natyrisht duke mënjanuar kufizimet e lartëpërmendura aristoteliane për grupe, gjini dhe shtresa të caktuara shoqërore. Duke mos synuar rregullime përfundimtare ideale, as shfrytëzim të çdo mjeti për marrjen dhe ruajtjen e pushtetit, tipi aristotelian i etikës nuk synon të përdorë mjete të paarsyeshme. Ai mbështetet në arsyen dhe vullnetin e mirë të njerëzve. Megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme. Konceptimi bashkëkohor etik parashtron edhe nevojën e marrjes së përgjegjësisë për veprim. Sidomos është i rëndësishëm skepticizmi pozitiv në institucionet politike dhe normat e aprovuara prej tyre. Qytetari bashkëkohor duhet ta ketë një dozë mosbesimi vazhdimisht: sepse ajo determinon kontrollimin e pushtetit dhe të pushtetarëve. Ky konceptim është një konceptim realist dhe jo i idealizuar. Institucionet e shtetit kanë nevoja për instanca kontrolli dhe ndarje të pushtetit: legjislativ, ekzekutiv dhe judikativ. Kjo ndarje nuk guxon të jetë vetëm formale, por reale. Skepticizmi jo vetëm e mbron qytetarin nga padrejtësitë, që pushtetarët mund “të mos i shohin”, por edhe e ndihmojnë qeveritarin të qeverisë drejt nga frika e mosvotimit të sërishëm. Këta mekanizma, që në dukje mund të paraqiten si konfliktuoz, në të vërtetë luajnë rol mbrojtës dhe korigjues. Politika etike bashkëkohore nuk flet sot vetëm për përgjegjësinë dhe mirëqenien, por edhe për ndërgjegjien dhe dhënien e llogarisë institucionale. Etika politike bashkëkohore ka hequr dorë nga optimizmi naiv, idealizmi dhe moralizimi. Edhe aktorët politikë në Kosovë do të duhej të vepronin konform këtyre të arriturave me veprime konkrete. Në vend të një optimizmi naiv të pabazë, se çështja e Kosovës do të zgjidhet shpejt dhe drejt, do të duhej përpunim i projekteve strategjike, në vend të një idealizimi të skajshëm të liderit, do të duhej kërkim llogarie për veprimet dhe mosveprimet e aktorëve, në vend të heshtjes së problemeve në emër të një lloj moralizimi, do të duhej shtruar për diskutim ato. Dhe fushatat zgjedhore, janë momentet më të përshtatshme për këtë gjë.

 

* ) Autori është ambasador i Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë.

 

 (Botuar për herë të parë në revistën “Interesi nacional”, Nr. 7,  të datës 29.10.2001)

 

(Pashtriku.org, 08. 07. 2010)

 

 

Në fokus

 

CILAT JANË TRI DIMENSIONET E POLITIKËS

 

Shkruan: Dr. Sabri Kiçmari ( * )

 

     1. Ç´është politika

     Kur flitet për politikën, në komunikimin e përditshëm, asaj i jepen kuptime të ndryshme. Në disa raste politika si nocion lidhet me praktikën politike, në të tjera raste me institucionet përfaqësuese dhe shpesh si mekanizëm interaktiv në mes të aktorëve të ndryshëm dhe shumë rrallë nocioni politikë i përkujton qytetarit të rëndomtë politikën si shkencë. Politika si shkencë dhe politika si praktikë kanë një lidhje organike me njëra tjetrën. Praktika politike nuk ka të bëjë me të kundërtën e teorisë politike. Ajo drejtohet në fushën e ideve nga kjo e dyta. Edhe në Kosovë po të pyeten qytetarët e rëndomtë se ç´është politika pyetësi do të merrte një larmi të madhe përgjigjiesh, të cilat, përgjithësisht, do të përfaqësonin botëkuptimet e qytetarëve, përkatësinë partiake, nivelin intelektual, vetëdijen politike, prejardhjen familjare dhe pozicionin në strukturat shoqërore.

·        Për disa politika do të identifikohej me sakrificën për të mirën e përgjithshme, patriotizmin, guximin deri në rënjen sublime (ish të burgosurit politikë);

·        për të tjerët politika ka të bëjë me veprimin institucional, pragmatizmin, lojalitetin ndaj sistemit për të mirën e përgjithshme (ish funksionarët e LKJ dhe përkrahësit e tyre); 

·        një grup i tretë politikën do ta nënkuptonte si veprim paralel institucional, rezistencë paqësore, demokraci, pluralizëm (aktivistët e LDK);

·        kurse një grup i katërt me politikë do të emërtonte heroizmin, luftën për liri, lavdinë (ish ushtarët e UÇK).

     Do të ishte i rrallë ndonjë qytetar që në përgjigjien e tij do të mundohej të zbërthente më në detale përmbajtjen e nocionit politik. Natyrisht që do të kishte edhe të tillë persona që, të dëshpruar në momente të caktuara kohore nga politika, për të do të përdornin shprehjen „rrenë“, „dredhi“, „mashtrim“, „dallavere“, ashtu siç do të ketë edhe të tillë që do të shprehnin rrezikshmërinë e veprimit politik: „politikanët shpesh vriten, burgosen, rrahen, ndiqen me, ose pa, të drejtë, si pasojë e veprimit politik“. Ndonjëri nga të pyeturit sigurisht do të përmendte shembuj të rënjes dhe ngritjes së politikave dhe politikanëve: „sot je dikushi, nesër s´je kurkushi“ etj.

·        Por ç´është politika në të vërtetë?

·        Cilat janë dimensionet e veprimit të saj?

·        Si duhet kuptuar politikën si teori dhe politikën si praktikë?

Ky punim synon t´u jap një përgjigjie këtyre pyetjeve konform zhvillimeve të sotme në lëminë e teorisë, shkencës, filozofisë dhe etikës politike.

 

      2. Politika si praktikë

     Grekët e vjetër që nga Platoni dhe Aristoteli dallonin tri forma të marrëdhënjeve të njeriut me botën:

1.     teorinë,

2.     praktikën dhe

3.     poezinë.

     Me praktikë ata nënkuptonin jetën e njeriut si qenje individuale dhe shoqërore. Synim i shoqërisë ishte bashkëjetesa e njerëzve në shtëpi dhe polis (shtet). Max Weberi, një nga klasikët e shkencës politike, e definon politikën si “përpjekje drejt pjesëmarrjes në pushtet ose drejt ndikimit në shpërndarjen e pushtetit, qoftë në mes të shteteve, qoftë brenda një shteti në mes të grupeve njerëzore, që e përbëjnë atë.”[1][1] Hannah Arendt kishte një admirim të veçantë në aftësinë e njeriut për veprim praktik. Pikërisht në këtë dimesion të veprimit shoqëror e shihte ajo dështimin e totalitarizmit. Sipas saj praktikë do të thotë, jo se ne duhet të jemi të përcaktuar nga raportet e jashtme, por nga liria e brendshme. Pasuesit e teorisë së Max Weberit e definojnë sot politikën si „zhvillim dhe formim të bashkësisë përmes mjetit të tillë, i cili është i veqantë për bashkësinë: pushtetit.“ 2 Kurse njëri nga studiuesit gjerman të shkencës politike Ulrich von Alemann e definon politikën si „konflikt interesash nën parakushtet e shfrytëzimit të pushtetit dhe nevojës së kencenzusit. Sipas kësaj mund të përfundohet se shkenca politike është ajo shkencë sociale, e cila merret shkencërisht me studimin e një politike të tillë, bazuar në dimensionet e formës politike (polity), përmbajtjes politike (policy) dhe proceseve politike (politics).“ 3

 

     3. Dimensionet e politikës

     Meqenëse gjuhës shqipe, njësoj si edhe asaj gjermane, i mungon veçimi i saktë emërtues i përmbajtjes së tri dimensioneve themelore të politikës do të përdoren këtu shprehjet e gjuhës angleze: politics, polity dhe policy. Këto tri dimensione përmbledhin në të vërtetë konceptimet e përgjithshme në shkencën politike bashkëkohore mbi politikën. Ato paraqesin trekëndëshin teorik të shkencës politike bashkëkohore. Ato janë instrument analitik, përmes të cilit politika ndahet në dimensionin e:

1.     procesit politik (politics),

2.     të veprimit publik (policy) dhe

3.     të sistemit politiko-institucional (polity).

     Këto tri dimensione përcaktojnë, në të vërtetë tri çështje bazë të etikës politike bashkëkohore:

     -  a është i përcaktuar dhe kordinuar veprimi i aktorëve politik;

     -  a janë zgjedhur mjetet e arsyshme dhe të qëndrueshme (institucionet dhe ligjet);

     -  a janë për t´u përligjur qëllimet dhe programet e një politike të caktuar.

 

     Dimensioni i parë i quajtur si politics ngërthen në vete këto fusha të politikës: veprimin politik, procesin politik, interesat, pushtetin, konfliktet, kompromiset etj. Pra kemi të bëjmë me fushën e ndërmarrjeve konkrete të aktorëve politik për të realizuar programet, qëllimet, synimet, strategjitë, planet e tyre. Ky dimension është një dimension procesual, i cili bazohet në ndërmjetësimin e interesave përmes dy mekanizmave themelor: konfliktit dhe koncenzusit. Objekt i këtij dimensioni të politikës janë angazhimet konkrete për zgjidhjen e një situate të dhënë problematike. Për shembull: Gjendja në qytetin e Mitrovicës ka krijuar një situatë problematike për aktorët politikë në Kosovë. Ata duhet të veprojnë politikisht, të mbrojnë interesat territoriale të Kosovës, të ndërmarrin hapa konkret, për të arritur zgjidhjen e këtij problemi. Pas fjalëve të thëna në Parlament nga kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare (Hamiti e Limaj) duhen pasuar veprimet konkrete: duhet filluar procesi politik në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke mënjanuar konfliktin dhe siguruar koncenzus ose shumicë absolute parlamentare.

     Dimensioni i dytë i quajtur si polity ka të bëjë me rregullimin politik, kushtetutën, normat bazë, institucionet dhe rregullat e tjera normative-kushtetuese. Institucionet kryesore të një rregullimi shtetëror parlamentar përbëhen nga parlamenti, gjyqet, qeveria, entet, institucionet edukative. Përmes këtyre insititucioneve kanalizohen bazat e krijimit dhe veprimit të vullnetit politik: zgjedhjet, të drejtat themelore si liria e të menduarit, të organizuarit dhe të bashkimit.  Pra në dimensionin e quajtur polity kemi të bëjmë me apektin normativ të politikës, përmes të cilit përcaktohen rregullat e veprimit politik: fusha e mundësive të veprimit, kufizimi i veprimit të aktorëve, por edhe sanksionet në rast shmangjeje nga aspektet normative të aprovuara. Si shembull mund të marrim precizimin në Kornizën Kushtetuese rreth (mos)kufizimit të së drejtës së Kryetarit të Kosovës për të ushtruar edhe detyrën e udhëheqësit të partisë politike. Sipas Kornizës Kushtetuese (në Pjesën e 2, neni 9.2.7.) kryetarit të Kosovës i kufizohet e drejta e “ushtrimit të funksionit tjetër zyrtar ose të ketë punësim tjetër.”  A është detyra e kryetarit të partisë politike një funksion zyrtar? Sipas pikëpamjes së autorit të këtij punimi drejtimi i një partie politike pjesëmarrëse në pushtet dhe përfaqësimi i “unitetit të popullit” nuk mund të shkojnë së bashku. Një krahasim me formulimin që gjendet në Ligjin Themeltar të RFGJ (Art. 55, Pika 2) na sjell deri te rezultati i një ngjajshmërie të theksuara me formulimin në Kornizën Kushtetuese. (Presidentët gjerman, posa e marrin detyrën e tyre, heqin dorë publikisht nga funksionet në parti.) Duke pasur parasysh faktin se Korniza Kushtetuese i përcakton kryetarit të Kosovës një rol kryesisht përfaqësimi, me ngjajshmëri të theksuara me rolin e Presidentit Federal në RFGJ, dhe ai merr obligim të “përfaqësoj unitetin e popullit dhe garantoj funksionimin demokratik të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes” 4 mosheqja dorë nga funksionet partiake e dëmton pozitën institucionale të kryetarit të Kosovës. Nëse qytetari që nuk ka votuar për partinë e kryetarit të Kosovës dëgjon lajmin se kryetari i Kosovës, që e përfaqëson edhe atë qytetar që nuk ka votuar për të, merr pjesë në mbledhjen e partisë së vet, detyrimisht e vë atë në një pozitë të theksuar mosbesimi ndaj sinqeritetit përfaqësues të kryetarit.

     Dimensioni i tretë i quajtur policy përmban në vete qëllimet politike, detyrat, programet, planet dhe strategjitë. Zhvillimi dhe kryerja e detyrës së saj nga ana e politikës varet nga interesat në shoqëri. Ekzistojnë interesa individuale, shoqërore,  materiale dhe ideale. Pasi që këto interesa në shoqëri janë shumë të larmishme dhe shpesh kundërthënëse, politika paraqet aftësinë e tejkalimit të situatave konfliktuoze. Pra këtu kemi të bëjmë me fushën e përcaktimit të synimeve dhe njohjen e legjitimitetit të interesave të grupeve shoqërore të një politike të caktuar, të fiksuar në dokumente politike, të cilave aktorët duhet kthyer dhe vështruar vazhdimisht, duke bërë bilancin e arritjeve dhe mangësive. Si shembull mund të na shërbejë në këtë rast përcaktimi programor i pjesës dërmuese të partive në Kosovë për pavarësi. Derisa disa nga partitë këtë qëllim politik e kanë fiksuar në programet e tyre (PDK, AAK, LPK), disa të tjera e kanë përcaktuar këtë qëllim politik vetëm në dokumentet dytësore - në programet zgjedhore (LDK), kurse dy subjekte politike kanë përcaktuar qëllime të tjera - bashkimi i kombit shqiptar në një shtet (UNIKOMBI, LKÇK). Krahas këtyre qëllimeve programore, të shtruara në programet bazë partiake apo në ato zgjedhore, ekzistojnë edhe partitë që synojnë rilidhjen e Kosovës me Serbinë (Koalicioni serb “Kthimi”), pra qëllime dhe platforma të kundërta me grupin e partive të para.

 

     4. Qëllimet e politikës

     Në aspektin e përgjithshëm aktorët politik të një sistemi të demokracisë shumëpartiake, si përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të përgjithshme, përcaktojnë qëllime universale si paqja, liria, barazia, demokracia dhe mirëqenja. Këto qëllime universale kanë zënë vend edhe në dokumentet programore të pothuajse të gjitha partive në Kosovë. Por, kjo megjithatë nuk është e mjaftueshme. Precizimi formal në dokumente partiake të këtyre formulimeve bazë duhet pasuar me veprime konkrete konform këtyre qëllimeve universale. Në veprimin e përditshëm politik insistohet për të mbrojtur interesat e caktuara. Mbrojtja e interesave është një gjë krejtësisht legjitime nga aktorët politik dhe ata të shoqërisë civile. Bile, sa më shumë që të ketë aktorë jashtëpartiakë, aq më pluraliste bëhet skena e përfaqësimit të interesave dhe me të edhe konkurrenca në larminë e veprimit politik. Përmes kësaj i bëhet një presion i vazhdueshëm politikës, e cila detyrohet që të respektojë përfaqësuesit e interesave, të cilët do të mund që pakënaqësinë e tyre ta kthenin në favor të opozitës. Por mbrojtja e interesave duhet bërë konform një rregulle bazë të ruajtjes së stabilitetit politik, pra të sigurimit të mirëqenjes dhe interesit të përbashkët. Jo egocentrizmi, por mirëqenja duhet të jenë qëllimet finale të aktorëve politik. Liria, paqja, barazia, demokracia dhe mirëqenja janë bazat e sistemit kushtetues demokratik. Këto pesë qëllime bazë, që duhet të jenë qëllim i secilit aktor politik, fitojnë në peshë sidomos nëse qytetari kosovar e rikthen për një moment vëmendjen nga e kaluara jo e largët, kur: 

     -  në Kosovë nuk kishte liri dhe qytetarët vuanin nën thundrën e një pushtimi të egër antinjerëzor - fitimi i lirisë ishte synim i të gjithë qytetarëve;

     -  në Kosovë nuk kishte paqe dhe lufta për çlirim ishte bërë i vetmi mjet për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit njerëzor, qytetar e kombëtar - vendosja e një paqeje të qëndrueshme ishte qëllimi i luftës çlirimtare;

     -  në Kosovë nuk kishte barazi, sepse pakica e shtypte mizorisht shumicën - vendosja e barazisë së të gjithë qytetarëve ishte imperativ i shumicës dërmuese të qytetarëve;

     -  në Kosovë nuk kishte demokraci, sepse qytetarëve nuk u lejohej të vendosnin vetë e lirshëm për sistemin e tyre politik, për përfaqësuesit e tyre, për të ardhmen e tyre - vendosja e demokracisë ishte bërë qëllim i pashmangshëm për evitimin e padrejtësive;

     -  në Kosovë nuk kishte mirëqenje, sepse të mirat materiale, pasuria e përbashkët dhe ajo individuale, rrezikoheshin, dëmtoheshin dhe vidheshin nga shteti, qoftë përmes ligjesh diskriminuese, qoftë përmes veprimesh antiligjore të përfaqësuesve të shtetit - vendosja e mirëqenjes për të gjithë qytetarët ishte bërë domsodoshmëri për sigurimin e mbijetesës së tyre.

     Këto pesë komponenta përbëjnë bazën programore të veprimit politik e kombëtar, kur popujt janë të pushtuar. Këto pesë komponente paraqesin edhe pesë principet bazë të veprimit politik në kohë paqeje. Por principet apo qëllimet programore nuk përcaktojnë edhe veprimin konkret në situata konkrete politike: ato janë paraprakisht të panjohura. Principet duhet të luajnë vetëm rol orientues. Për të zhvilluar një politikë të drejtë dhe të mirë nuk mjafton vetëm përcaktimi i principeve politike. Varshmëria ekskluzive vetëm nga principet e paracaktuara më parë mund të ketë pasoja në realizimin e zgjidhjeve të konflikteve dhe situatave politike që krijohen. Sidomos një gjë e tillë mund të ketë efekte negative nga aktorët që situatat i gjykojnë sipas  koncepteve bardh - zi.

 

      5. Përfundim

      Baza e politikës gjendet në faktin se njerëzit nuk mund të jetojnë si qenje të ndara, të vetmuara dhe të palidhura në aspektin shoqëror. Njeriu është pra një zoon politikon (qenje politike), siç e pati cilësuar Aristoteli. Ai është i varur në shumë drejtime nga të tjerët. Njerëzit kanë nevojat e tyre, të cilat duan t´i plotësojnë. Disa nga këto nevoja janë të domosdoshme për ruajtjen e qenjes njerëzore. Nëse nevojat materiale (ushqimi, veshja, banimi) janë të domosdoshme për ruajtjen e ekzistencës fizike të njeriut, nevojat shpirtërore (dashuria, respekti, dinjiteti) i nevojiten atij për të ruajtur qenjen e tij transcendentale prej njeriu. Për sigurimin e këtyre dy segmenteve ekzistencialiste të njeriut shtrohet si domosdoshmëri nevoja e organizimit të njeriut në shtet - pra nevoja e politikës si teori dhe e politikës si praktikë. Veprimet praktike politike duhen studiuar paraprakisht nga aktorët politik. Fakti i studimit të tyre paraprak shtron nevojën e organizimit nga ana e shtetit të edukimit politik - të instituteve shkencore politike. E detyra e instituteve është jo sjellja servile ndaj pushtetarëve, por analizimi paraprak i veprimeve politike, shtruarja e ideve në rrafshin teorik për politikën dhe kritika e rreptë ndaj gabimeve të aktorëve politik.

 

(Botuar për herë të parë  në revistën “Zëri”, Nr. 1821, të datës 19 qershor 2002)

(Pashtriku.org, 02. 07. 2010 )

 

 

 

KUSH ËSHTË DR. SABRI KIÇMARI

 

     Dr. Sabri Kiçmari ka lindur më 14 shtator 1967 në Gurash (LLadofc) të Besianës (ish Podjevës). Shkollën fillore e mbaroi në Besianë, kurse atë të mesme në Qendrën Mjekësore „Ali Sokoli“ në Prishtinë. Në moshën 14-vjeçare, për shkak të veprimtarisë së fshehtë në përkrahje të demonstratave të vitit 1981, në tetor të vitit 1981 burgoset nga regjimi i atëhershëm. Pak pas regjistrimit të studimeve, në shtator të vitit 1988, u detyrua të hedhej në ilegalitet, meqë kërkohej të arrestohej nga regjimi i Beogradit për shkak të veprimtarisë antipushtuese. Në vitet 1988-1989 ai udhëheq LPRK, si sekretar organizativ i Komitetit Drejtues (Provizor), së bashku me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Beqir Beqën, Bardhyl Mahmutin etj. Si pjesëtar dhe udhëheqës politik i „Çetës së Llapit“, Sabri Kiçmari merr pjesë në organizimin, planifikimin dhe kryerjen me sukses të një numri demonstratash dhe aktivitetesh tjera kundër pushtuesit në Llap, Drenicë, Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës. Në demonstratën e 30 majit 1989 ai, së bashku me Ali Ajetin dhe shokë të tjerë, ishte një nga organizatorët kryesor, me ç’rast bie heroikisht dëshmori Ali Ajeti, të cilit i gjendet pranë deri në momentet e fundit të rënies së tij. Pas rreth një viti të qëndrimit në ilegalitet, në gusht të vitit 1989, me vendim të Komitetit Drejtues të Lëvizjes largohet jashtë vendit së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Pas vendosjes në Gjermani vazhdon veprimtarinë e tij politike në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK, si sekretar i Nëndegës së LPK për Gjermani. Në tetor të vitit 1998 emërohet Përfaqësues për Marrëdhënie me Jashtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kurse në prill të vitit 1999 edhe përfaqësues Diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për Austri, detyra të cilat i kryen deri në përfundim të luftës. Në këtë detyrë punon me intesitet të lartë në informimin, përfaqësimin dhe mbrojtjen e fjalës, interesave dhe të drejtave të luftëtarëve të lirisë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës në qindra takime me ministra shtetesh, diplomatë dhe gazetarë. Pas luftës emërohet për një periudhë të shkurtër kohore këshilltar diplomatik i Kryeministrit të QPK dhe bashkëdrejtues i Departamentit të Pushtetit Lokal në Këshillin Tranzitor tä Kosovës. Sabri Kiçmari në vitin 1994 i regjistron studimet për shkencë politike, sociologji dhe filozofi në Universitetin e Bochumit (RFGJ). Pas intensifikimit të aktiviteteve diplomatike në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës detyrohet që për dy vite me radhë (1997 - 1999) t’i ndërpresë studimet. Në vitin 2000 kthehet sërish në RFGJ dhe ju përkushtohet studimeve të lëna përgjysmë duke i përfunduar me sukses ato. Më 12 dhjetor 2001 mbron me sukses magjistraturën për filozofi politike në Universitetin e Bonit (RFGJ). Më 12 qershor 2007 mbron me sukses disertacionin po ashtu në Universitetin e Bonit. Për katër vite me radhë (2001 - 2005) punoi si analist në Institutin për Analizimin e Mediave në Bon. Që nga Marsi i vitit 2006 është ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në tetor të vitit 2006 është emëruar ligjërues dhe prodekan i Fakultetit të Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Kolegjin Universitar „Victory“, kurse një kohë ka kryer edhe detyrën e prorektorit pranë këtij Universiteti. Ka publikuar një numër të madh artikujsh, punimesh dhe analizash në revistat „Zëri i Kosovës“, „Interesi nacional“, „Zëri“, „Politika dhe shoqëria“, „Studime sociale“, pastaj në të përditshmet „Koha ditore“, „Epoka e re“, „Infopress“ etj. Në mars të vitit 2004 është botuar libri i tij i parë „Drejtpeshimi“ nga Shtëpia Botuese “Koçi“ (Tiranë). Që nga tetori i vitit 2002 është anëtar i Shoqatës Gjermane për Filozofi, kurse nga fillimi i vitit 2007 anëtar i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Pas kthimit të tij në Kosovë, në tetor të vitit 2005, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kurse për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 është nominuar kandidat në listën e PDK për Kuvendin e Kosovës. Aktualisht Dr.Sabri Kiçmari, është ambasador i Republikës së Kosovës në Austri.

 

________

 

powered by Beepworld