Plani “Top Sekret” i Luftës së UÇK’së në Pashtrik
( Pranverë 1999 )
 
PËRMASAT E OPERACIONIT
TË UÇK’së „SHIGJETA“ NË PASHTRIK
 
 Plani operativ i operacionit „Shigjeta“ i hartuar
nga SHP i UÇK-së...
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------
 
Gjithçka rreth planizimit për hapjen e frontit
në kufi me Shqipërinë ( Pashtrik )
 
     Për herë të parë botohen dokumentet sekrete të UÇK-së, bashkëveprimit të saj me NATO’n dhe amerikanët, sigurisht edhe me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes që del se ka bërë furnzimin me armë dhe mjete logjistike të luftëtarëve. Nga korrespondenca e shefit të shtabit të UÇK-së, kolonel Bislim Zyrapi, me Ministrinë tonë vihet re ndihma që u është dhënë luftëtarëv me armatime të lehta, artilerie dhe municione. Ndërkaq, shuhen mjergullat mbi emrat dhe deklaratat “aty isha edhe unë”. Në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së Kosovës, Azem Zyla, emërohen drejtues të frontit dhe operacionit “Shigjeta”:
·       komandant Bislim Zyrapi,
·       zëvendës Spiro Butka,
·       ndihmës drejtues Shaban Musliu,
·       koordinator Gramoz Kelmendi,
·       shef i organzimit i UÇK Agron Haradinaj,
·       shef i logjistikes Mark Shala,
·       shef i armatimit Shefki Avdullahu,
·       shef i policisë ushtarake, Fadil Hoxha.
Mes emrave bie në sy ai i Kolonelit Butka, nga Tirana, i cili do të luftonte deri në fund, madje pas luftës do të drejtonte edhe TMK’në në Kosovë.
 
Bashkëpunimi me NATO'n
 
     Bashkëpunimi me NATO-n ishte i përditshëm dhe, sic del nga njoftimet operative që i disponojmë në dosjen e operacionit “Shigjeta”, zbuloheshin në terren objektet që duhej të godiste NATO nga ajri. Në urdhërin luftarak numer 01 të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, kolonel Bislim Zyrapi dhe të zëvendëskomandantit dhe shefit operativ, kolonel Spiro Butka, del qartë koordinimi me aleatët e operacionit.“ 4. Aviacioni - Detyrat sipas koordinimit të detyrave me aleatët e grupit “X” tek “Dora e tërthortë. 6 Sinjalet dhe komunikimi - Sipas kodit të bisedimit dhe radiorrjetit të grupit “X” te “Dora e tërthortë””. Sipas Kolonelit Butka një ekip amerikan ishte pranë shtabit të UÇK’së në Kukës dhe koordinonte gjithçka. Këto dokumente plotësojnë historinë e vërtetë të UÇK’së, një forcë që luftoi në krah të NATO-s, një ushtri e vërtetë e njohur nga aleatët, përkundër etiketimeve të bëra në atë kohë nga politikanë ndërkombëtarë dhe të vendit si grupe “guerrile” apo “terroriste”. Për herë të parë informacionet mbi bashkëpunimin e NATO-s me UÇK. Skicat e betejës së Pashtrikut. Vijat e sulmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Mjetet që kishte në dispozicion.
 
 *  *  * 
SEKRET USHTARAK
-Tepër sekret-
Ekz 1 nga 3 kopje
“SHIGJETA”  
USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Nr. Protokol. J-03/1
Prishtinë 31.03.1999
PLANI OPERATIV “SHIGJETA”
Harta 1:50.000 (Fleta Prizren 1, 2, 3, 4,
botim i ish-Jugosllavisë i v. 1983)
 
ORGANIZIMI I FORCAVE
 
  FDVV-1 (Forcë e destinuar për Veprime të Veçanta)
- Kompani Këmbësorie
- Toga kundërtanke (topa KT 75 mm, OSA 0 - 90mm)
- Toga e mortajave ( minahedhës )
- Skuadra e xhenios
- Skuadra e ndërlidhjes
- Toga e logjistikës
- Skuadra sanitare
- Skuadra e zbulimit
- Skuadra e MKA
 
   FDVV- 2
- Kompani këmbësorie
- Toga kundërtanke(topa KT 75mm, OSA- 90mm)
- Toga e mortajave (minahedhës)
- Skuadra e xhenios
- Skuadra e ndërlidhjes
- Toga e logjistikës
- Skuadra sanitare
- Skuadra e zbulimit
- Skuadra e MKA
 
  FDVV- 3
- Kompani këmbësorie
- Toga kundërtanke(topa KT 75mm, OSA- 90mm)
- Toga e mortajave (minahedhës)
- Skuadra e xhenios
- Skuadra e ndërlidhjes
- Toga e logjistikës
- Skuadra sanitare
- Skuadra e zbulimit
- Skuadra e MKA
 
  NJËSITË AUTONOME (Këto varen drejtpërsëdrejti nga Shtabi Opertaiv i Operacionit.)
- 2 bateri mortajash (minahedhës) 120mm
- Kompania e raketave kundërtanke
- Toga e policisë ushtarake
- Toga e ndërlidhjes
- Toga e zbulimit
 
  NJËSIA E LOGJISTIKËS
- Njësitë e furnizimit të forcave që sulmojnë, (me municion, ushqim, veshmbathje, karburant etj.
- Njësiti i transportit
- Njësia e posaçme për futjen e materialit ushtarak për UÇK
- Spitali fushor
 
 FDVV- “QORRI”
- 5 toga këmbësorie
- 5 skuadra minahedhës 82mm
- 5 ekipe shëndetësore
 
SHËNIM: Sasia e FDVV-ve do të përcaktohet në varësi nga sasia e forcave ekzistuese për këtë qëllim në zonën e Babushit.
 
Tepër sekret
 
PLANI OPERATIV “SHIGJETA” I UÇK’së
 
1. SITUATA
 
     Gjendja ushtarako-politike: Kosova aktualisht ndodhet e pushtuar. Populli kosovar është ngritur në luftë të armatosur për çlirimin e tij, të cilin e realizon nëpërmjet UÇK. Ajo ka një vit që kryen aktivitet luftarak dhe po përballon ofensivën e dytë të pushtuesit serb. Si rrjedhojë e zhvillimit të luftimeve të ashpra e të vazhdueshme, ajo ka nevojë për rifurnizim me armatim dhe municion. Në kushtet kur armiku serb po goditet ashpër nga forcat ushtarake ajrore të NATO-s dhe për të krijuar mundësinë e furnizimit të UÇK del e nevojshme që të organizohet hapja e korridorit tokësor për furnizimin e UÇK me armatim dhe municion që ajo të kryejë me sukses misionin, të cilin e ka nisur para një viti. Për kryerjen e këtij misioni organizohet operacioni “SHIGJETA”.
 
A. Forcat e armikut:
 
Në drejtim të sulmit të forcave tona Pashtrik-Zym “PESHKU”:
- 2 karakolle (Gorozhup dhe Lugu i Zi) nga 2 toga
- në vijën Gorozhup-Milja-Planeja- 1 batalion këmbësorie, 1 bateri 120mm dhe 1 bateri artilerie tokësore
- Në Trumsh: 2 toga të njësisë speciale
- Në Rugovë: 1 batalion i mekanizuar, i tërhequr nga Demijani dhe Pnishi
- Në Zym: 1 togë polici lokale dhe në Romajë 1 togë e mekanizuar
- Në vijën Bistrazhin- Goden: 1 kompani e mekanizuar
 
Në brendësi të kufirit shtetëror Morinë - karakolli Stojanoviç “KORBI”
 
- 5 karakolle (Qestak, Orqush, Kërstac, Stojanoviç dhe Vërmicë) nga 2 toga secili
- Në Dragash: 50 policë lokalë
- Në rajonin e Dubravës (Zymi i Opojës): bazë ushtarake me forcat e 1 kompanie të mekanizuar dhe bateria e artilerisë
- Në Gur të Zi: 1 kompani e mekanizuar
- Në Billushë: 1 togë këmbësorie
- Në vijën Qeja- Rezina: 1 bateri e obuzëve 122mm dhe 1 bateri e artilerisë tokësore
- Në rajonin e qytetit të Prizrenit: 1 brigadë e mekanizuar
 
B. Forcat tona
 
Forcat e brendshme të UÇK-së kryejnë aktivitet luftarak, duke filluar nga thellësia prej 10km nga kufiri shtetëror me Shqipërinë. Grupimi i kryesor i forcave tona ndodhet në drejtimet Prizren-Kabash-Budakovë dhe Krusha e Madhe-Pagarushë. Ato janë të armatosur me armë të lehta këmbësorie kundërtanke, por me municion të kufizuar. Operacioni do të mbështet në veprimet e forcave kryesore që do të hyjnë nga kufiri, kurse me forcat e brendshme, në territorin përkohësisht të okupuar, do të kryhen goditje kundër armikut në shpinë dhe në befasi- kryesisht kundër pozicioneve të artilerisë dhe kolonave të furnizimit të tij. Forcat kryesore do të jenë forcat që do të realizojnë operacionin “SHIGJETA”.
 
C. Mbështetja
 
Mbështetja e operacionit do të kryhet nga aviacioni i NATO-s, si dhe nga artileria në vartësi direkte të komandës së operacionit
 
SI U IDEUA DHE KUSH E ZBATOI
OPERACIONIN "SHIGJETA"
  
     Kjo luftë ishte sa e rreptë, po aq edhe e gjatë. Zanafilla e saj është në fillimet e shekullit të kaluar, në kohën kur shembeshin kufijtë e një perandorie në vdekje e sipër dhe ndërtoheshin e fuqizoheshin shtete të reja ballkanike. Në këtë luftë të zhvilluar hap pas hapi, duke filluar që nga më e thjeshta tek e përbëra dhe nga kjo e fundit në të vështirën e të ndërlikuarën, procesi luftarak u organizua, zhvillua dhe u drejtua në përputhje të plotë me vendin, kohën, faktorin politik, ekonomik dhe ushtarak të brendshëm e të jashtëm, si dhe impenjime të tjera anësore, që ndikuan direkt apo indirekt, në përfundimin apo vazhdimësinë e këtyre veprimeve luftarake.
     Nisur nga këto kushte e rrethana të favorshme e disfavorshme, ecuria e zhvillimit luftarak në Kosovë u krye sipas nismave, planeve dhe objektivave të parapara të vijës politike e asaj ushtarake, në harmoni të plotë me koniunkturat e ndryshme të zhvillimeve në Ballkan, Evropë dhe në krejt rruzullin tokësor. Këto ecuri ishin të pashkëputura, nga zhvillimet e brendshme e të jashtme, të cilat me ndikimet e tyre, e shtynë procesin e fitores nga dita në ditë, drejt realizimit të misionit historik. Dhe për vazhdimësi të vet, edhe kjo luftë, ashtu si dhe luftërat e tjera, pati pikat e nxehta e kulminante, nga ku u morën kthesa të mëdha e historike. Në këtë kontekst, në analizë të tyre brenda këtyre thellësive dimensionale, është me rëndësi jetike lufta në Prekaz, Beteja e Jasharajve Legjendarë, e asaj ushtrie të vogël në numër, por të madhe në shpirt e në zemër, që me veprën e tyre madhore, ngritën peshë jo vetëm popullin shqiptar brenda në Kosovë e atë në emigracion e trojet e tjera etnike, por me sakrificën e tyre sublime e qëndresën heroike me në krye prijësin e ri legjendar të kohërave të reja, Adem Jasharin, i treguan mbarë botës se cilët janë e përse luftojnë shqiptarët.
     Ofensiva gjenocidale serbe në verë të vitit 1998 dhe vazhdimi i saj dhe gjatë vjeshtës së këtij viti, në përballje me UÇK-në, u gjend përpara situatave të reja. UÇK-ja nuk ishte më ajo e viteve të shkuara. Kjo ushtri e dalë nga gjiri i popullit të vet, nuk kish qëndruar në vend. Së bashku me ecurinë e zhvillimit luftarak, UÇK-ja ishte transformuar gradualisht në ide, mendim dhe veprim. Organizimi i ri i kryer gjatë kësaj periudhe, krahas pjekjes së veprimit luftarak, kish konsoliduar strukturën e re, duke krijuar kështu kushte tepër të volitshme, për të kaluar në një formë të re lufte, në atë frontale me rreshtime luftarake tashmë të mbështetura fuqimisht në tokën e trungut amë.
     U krijua ky mendim në një kohë kur Beogradi zyrtar dhe mediat e tij propagandonin me bujë të madhe “se UÇK-ja më në fund u shkatërrua”, “se UÇK ishte shpërbërë”, “se në emër të UÇK-së flisnin e vepronin grupe individësh të qenë aty-këtu”, mendime këto që në njëfarë shkalle, mbështeteshin edhe nga reaksioni i brendshëm në Kosovë, i organizuar në mënyrë të qëllimshme nga ideatorët e makinës luftarake serbosllave. Por, edhe pse UÇK-ja, u përgojua në mediat serbe, sipas interesave të vet Beogradit, ajo në vetvete, nisur nga iniciativa morale që e mbizotëronte, lëshoi më 17.02.1999 komunikatën me Nr.013 ku u bëri thirrje, “…. gjithë institucioneve shtetërore, partive politike, shoqatave atdhetare dhe individëve të ndryshëm, të ndihmojnë me të gjitha mënyrat…” Kosovën në luftën e saj të përgjithshme, për çlirimin e plotë të popullit të vet, nga zgjedha koloniale serbosllave.
“Shigjeta”, vepër e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
     Pikërisht në këto situata tepër të studiuara e të koordinuara brenda vetes dhe me botën, mendimi i politikës luftarake kosovare, i ndërtuar dhe konsoliduar tashmë në një shtab të madh, të përbërë nga pjesa politike dhe ajo ushtarake, ngriti themelet për të hedhur hapin vendimtar historik, në krejt epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë për jetë e vdekje për çlirimin e Kosovës, nga regjimi më i urryer i të gjitha kohërave, ai serb i Beogradit të tërbuar nacionalist. Qeveria e re e dalë pas marrëveshjes historike të Rambujesë, e kryesuar dhe drejtuar me një zgjuarsi të veçantë nga Hashim Thaçi, në vazhdimësi të zbatimit të planeve të saj largpamëse në fushën ushtarake, duke qenë njëkohësisht dhe komandant i UÇK-së, hartoi projekte të reja në zbatim të obligimit historik përfundimtar. Këto detyra u zbërthyen dhe u konkretizuan më tej nga ministri i Mbrojtjes i QPK-së, ish-komandanti për shumë vite me radhë i UÇK-së, patrioti i vendosur deri në vdekje, njeriu sa i dashur, aq edhe i rreptë, patrioti i vendosur Azem Syla. Në këtë vazhdimësi, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i drejtuar nga kolonel Bislim Zyrapi, heroi i dy luftërave në Bosnje e Kosovë, oficeri sa nacional aq edhe internacional, me veprimet që ia kërkoi koha dhe ia imponoi vetë situata e re e krijuar luftarake, i konkretizoi më tej këto ide, projekte e detyra, në kuadër të dhënies së një goditjeje të re luftarake, duke përpiluar idenë e një operacioni të madh, të koduar tashmë me emrin e mirënjohur “SHIGJETA”.
     Për këtë operacion, si pjesë përbërëse e të pandarë të veprimit luftarak kosovar, ashtu si për krejt luftën gati dhjetëvjeçare, të zhvilluar në dekadën e fundit të njëqindvjeçarit të kaluar, janë dhënë mendime të ndryshme, nga autorë të gjinive të shumë fushave, këndej dhe andej kufirit imagjinar shqiptaro-shqiptar, si dhe nga disa specialistë politikë e ushtarakë përtej këtyre kufijve, ku nëpërmjet penës kanë shfaqur pikëpamjet, opsionet, vërejtjet e kritikat, për atë veprim luftarak të zhvilluar në pranverën e përgjakur të vitit 1999. Mbështetur në ecurinë politike e diplomatike botërore e evropiane, QPK orientoi SHP të UÇK-së, të marrë masat konkrete në organizimet e reja të veprimeve luftarake. Kështu, më 31.03.1999, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nxori vendimin me numër 151 për mobilizimin e përgjithshëm, për të përballuar ofensivën e re serbe, për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Në vazhdimësi të zbërthimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të detyrave, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nxori njërin pas tjetrit urdhrat nr.97, datë 31.03.1999 dhe atë me nr.98, datë 31.03.1999. I pari precizonte vendimin e marrë nga ky shtab luftarak dhe i dyti garantonte sigurimin e kompletimit gjatë mobilizimit të përgjithshëm me anën e Policisë Ushtarake.
     Për ndjekjen e kësaj ecurie, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nën drejtimin e kolonel Bislim Zyrapit, në konkretizim të mëtejmë të detyrave të ngarkuara nga Hashim Thaçi, kryeministër i QPK dhe Azem Syla, ministër i Mbrojtjes, hartoi konkretisht Planin operativ “SHIGJETA”, me numër J-03/1 datë 31.03.1999, ku në mënyrë tekstuale është paraqitur organizimi i forcave, situate konkrete, detyrat e forcave tona, zbatimi, sigurimi i operacionit, komandimi dhe ndërlidhja. Ky ishte një plan parashikues paraprak, që orientoi më tej drejtuesit e operacionit për caktimin e idesë, qëllimin e operacionit, përbërjen luftarake të dy palëve, dendësinë dhe raportin e forcave, urdhrin luftarak e planin e veprimeve. I gjithë planizimi i këtij operacioni, u konkretizua dhe u zbërthye, duke u kompletuar me të gjitha kërkesat e nevojshme e të domosdoshme nga shtabi drejtues i këtij operacioni, nën drejtimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapit. Ngjarjet pasuan njëra-tjetrën, e me ecuri të mirëfilltë.
     Nga ana e ministrit të Mbrojtjes u kryen emërimet e nevojshme për komandën dhe shtabin e operacionit, ato të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e në disa raste deri në emërimin e disa komandantëve të batalioneve. Por, për të qenë sa më realë dhe për t i ballafaquar me fakte konkrete, ata individë që janë munduar e po mundohen të ndryshojnë historinë, është në të mirë të së tashmes dhe të së ardhmes, që gjithmonë kur flasim e shkruajmë për luftën e popullit tonë, duhet të pasqyrojmë gjithmonë realitetin e kohës, ashtu si ka qenë dhe si është zhvilluar.
     Kështu, në ballafaqim të fakteve dhe argumenteve bindëse, mund të përmendim se nga ekzistenca e dokumenteve nr. 10 datë 1.04.1999, ai me nr.11 datë 1.04.1999, ai me nr.12 datë 10.04.1999, ai me nr.13 datë 17.05.1999 dhe ai me nr.14 datë 23.05.1999, paraqitet realiteti i asaj kohe dhe se këto në vetvete mbajnë vulën e Ministrisë së Mbrojtjes të QPK-së, të firmosur nga titullari i atij dikasteri, Azem Syla. Në këto dokumente, sipas hierarkisë ushtarake, janë emëruar komanda e frontit të operacionit “Shigjeta”, me komandant kolonel Bislim Zyrapin dhe shtabin e përbërë nga kolonel Spiro Butka, Shaban Musliu, Mark Shala, Shefki Abdullahu, Fadil Hoxha, Agron Haradinaj dhe Gramoz Kelmendi, të cilët të vendosur në pozicionet e tyre drejtuese luftarake, kryenë detyrat në vazhdimësi të operacionit “Shigjeta”, në përputhje me të gjitha urdhrat e detyrat e vëna, nga QPK, ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, dhe komandanti i frontit të këtij operacioni, kolonel Bislim Zyrapi.
     Në vazhdimësi të veprimeve të mëtejshme duhet theksuar se puna nuk ngeli me kaq, por u thellua më tej. Kështu, në ecurinë e rrugës për organizimin e këtij operacioni, nga ministri i Mbrojtjes të asaj kohe, Azem Syla, u emëruan komandantët e drejtimeve operative nr.1 dhe nr.2, ku përkatësisht në të parin që ishte në drejtim të Pashtrikut, u emërua Nexhmedin Kastrati, ndërsa në të dytin, atë Koshares, Rustem Berisha. Në këto emërime të kryera me interes të organizimit të operacionit “Shigjeta”, puna u konkretizua më pas. Kështu, në ballafaqim të fakteve konkrete, del se po me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla, u emëruan komandantët e disa drejtimeve taktike, si:
·       Uran Rexhepi drejtimi taktik nr.1,
·       Bilall Syla drejtimi taktik nr.2,
·       Ruzhdi Saramati në drejtimin taktik nr.3,
·       Hysni Syla në drejtimin taktik nr.4 etj.
     Në vazhdimësi të zbërthimit të këtyre urdhrave e emërimeve, po nga ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, e me firmën e tij, u emëruan edhe shtabet përkatëse të këtyre drejtimeve operative dhe atyre taktike, e deri tek emërimi i disa komandantëve të batalioneve për drejtimin taktik më kryesor, atë Nr.2 të Pashtrikut, ndër të cilët Dritan Dyrmishi, Ermir Bega dhe Agim Sallaku.
     U cilësuan më sipër këta numra e shifra të dokumenteve të asaj kohe, për të vërtetuar konkretisht dhe për t u treguar atyre që kërkojnë të ndryshojnë historinë, për të ndërtuar atë në interes të individëve dhe klaneve të reja politike e ushtarake, të dala tani pas luftës si “kërpudhat pas shiut”. Në të njëjtën kohë, këto argumente të mësipërme dhe ato që do të rrjedhin më poshtë gjatë zbërthimit të detyrave të këtij operacioni, është në të mirë të historisë së popullit tonë dhe patjetër dhe të dashamirësve që kanë shkruar e do të shkruajnë në të ardhmen, që gjatë konkretizimit të kapitujve historikë, të rreshtojnë veprën e popullit dhe të bijve të tij, ashtu si ka ndodhur, pa paragjykime të ngushta partiake e ngjyrime politike.
 
Planizimi ushtarak i operacionit “Shigjeta”
 
     Ngjarjet politike dhe ushtarake në fillim të vitit 1999 e më pas, rrodhën në atë mënyrë e atë rrugë , që për të ardhmen shtruan detyra dhe kërkuan avancime të mëtejme për ecurinë e zhvillimit luftarak dhe për të kurorëzuar me sukses e sa më shpejt, obligimin historik si kërkesë të domosdoshme e jetike për vet kohën, vendin dhe situatën e krijuar shumë të favorshme, në arritjen e qëllimit përfundimtar. Në këtë kontekst, mbështetur plotësisht në situatën e re e tepër të favorshme, të krijuar sidomos pas 24 marsit 1999, ditën kur Pakti i Atlantikut Verior, hodhi në veprim arsenalin e vet ajror, në luftë kundër Ushtrisë Jugosllave, u ndje nevoja e domosdoshme, për të ndërmarrë veprime më të shpejtuara. Kështu, nga komandanti i këtij fronti të ri, kolonel Bislim Zyrapi, u hodhën hapa të studiuar e të menduar mirë, për fillimin praktik të veprimeve të këtij operacioni, në përputhje me idenë e parashikuar që më parë.
 
Ideja e Operacionit
 
     Në përputhje me këtë projektplan tekstual, të hartuar nga SHP i UÇK-së me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapin, u ndërtua ideja që “me forcat e ardhura nga Perëndimi, pas organizimit e përgatitjes intensive për llojet kryesore të luftimeve, të organizohet, planizohet dhe të zhvillohet operacioni “SHIGJETA”, në frontin:
·       Bardoc (6020-6030),
·       Papaj (3000-0020),
·       Lujza (2570-8560),
·       Kukës (5030-5090).
Të kalohet në mësymje frontale në drejtimin kryesor
·       Mali i Pashtrikut (6040-7050),
·       Lubizhdë (7000-8035),
·       Krusha e Madhe (7090-8070),
·       Rahovec (7500-9080),
·       Prishtinë (1500-2500) dhe në drejtimin ndihmës:
·       Tropojë (3520-9080),
·       Skivjan (4500-0075),
·       Drenovc (7595-0595),
·       Gllogovc (9035-2025) së bashku me ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe ZO të Drenicës, të rrethojnë dhe asgjësojnë forcat serbe në frontin:
·       Zhur (7080-6095),
·       Ferizaj (2030-9050),
·       Prishtinë (1500-2500),
·       Koshare (3065-0080).
     Në vazhdimësi të luftimeve të mëtejshme për arritjen e qëllimit përfundimtar, të vazhdohet mësymja në drejtim të kufijve veriorë të Kosovës dhe në bashkëveprim me ZO të Mitrovicës, ZO të Llapit, ZO të Narodimes,ZO të Karadakut, të rrethohen dhe asgjësohen forcat serbe në rasone:
·       e Mitrovicës (9000-4595),
·       Prishtinës (1050-2050),
·       Podujevës (1550-5030),
·       Ferizajt (1095-9050) e
·       Gjilanit (4075-9035) dhe të vendoset situata në vend”.
 
     Kjo ide u përcaktua në mënyrë të qëllimshme e me këto synime të mëdha. Ajo ishte dhe do të ngelet si e tillë, sepse kërkonte me çdo kusht, realizimin e objektivave të obligimit të madh historik. Ajo u projektua me këtë mendim ushtarak të argumentuar, sepse ishin marrë tërësisht masat organizuese, për arritjen e qëllimit të paraparë. Për më tepër, kurajoz ishte ndërtimi i bashkëveprimit me forcat e NATO-s, gjë që nëpërmjet ngritjes së moralit, në një shkallë më të lartë të luftëtarëve të këtij operacioni, rriti më tej besimin për një fitore të padiskutueshme.
 
Kodi i fshehtë i NATO-s me UÇK’në,
ja si komunikohej
 
Rrëfimi i kolonelit nga Shqipëria, Spiro Butka, zëvendës shef shtabi i UÇK dhe më pas i TMK.
 
Mikroperacioni tepër sekret i amerikanëve “Dora e tërthortë” që i parapriu betejës së Koshares dhe Luftës së Pashtrikut.
 
Përbërja luftarake e të dy palëve
 
    Në zbërthim të idesë së operacionit dhe qëllimit të tij, në ballafaqim me realitetin luftarak të ri, pas fillimit të bombardimeve të njëpasnjëshme nga ana e NATO-s në interes të UÇK-së, nisur nga ndërtimi i rreshtimeve luftarake të të dy palëve, del se përbërja luftarake e tyre në këtë përballje, për forcat tona konsistoi në pjesëmarrjen e FRONTIT OPERATIV me
·       Drejtimin I Operativ;
·       Drejtimin II Operativ;
·       Drejtimin III Operativ;
·       Zona Operative e Drenicës;
·       Zona Operative e Pashtrikut;
·       Zona Operative e Dukagjinit;
·       Zona Operative e Shalës;
·       Zona Operative e Llapit;
.  Zona Operative e Nerodimës dhe
·       Zona Operative e Karadakut,
të cilët gjatë veprimeve luftarake, u mbështetën fuqimisht nga forcat ajrore të NATO-s, në të gjithë thellësinë e territorit të Kosovës. Për forcat serbe përbërja e tyre konsistoi në pjesëmarrjen e
·       K52K Prishtinë,
·       me Br243T,
·       Br354M,
·       Br549M,
·       Br52AO,
·       R52AK dhe
·       Br52KL, duke u mbështetur fuqimisht nga Korpusi Special iBeogradit.
 
Dëndësia dhe raporti i forcave
 
    Përballja në këtë veprimtari luftarake e të dy palëve, në përputhje me situatën e krijuar, sidomos pas ndërmarrjeve të inkursioneve të njëpasnjëshme të NATO-s nga ajri, rezulton një superioritet i shmangshëm i forcave tokësore serbosllave nga ana numerike dhe pajisja me armatim e teknikë të pjesshme të kohës. Megjithatë, mbështetur në veprimtarinë luftarake të brendshme në Kosovë të mbi njëzet brigadave, të cilat karakterizoheshin nga sulmi i rrufeshëm luftarak në lëvizje e veprim dhe përqendrimi i forcave të frontit operativ të përbërë nga tri Drejtime Operative, e mbështetur fuqimisht nga aviacioni bombardues i NATO-s, ky raport zbutej dhe arrinte që UÇK-ja të krijonte epërsi vetëm në drejtimin e goditjes kryesore për sasinë e Brigadave të Lehta Malore dhe atyre të Drejtimeve Taktike. Gjithsesi, edhe pse në sfondin e pamjes ushtarake ky raport forcash nuk paraqiste dukuritë e realitetit të kërkesave normale, zhvillimet e mëpasshme treguan dhe vërtetuan, se iniciativa e ndërmarrë, jo vetëm që nuk ishte e nxituar, por tepër e guximshme, e arsyeshme dhe e justifikueshme. Kjo për shumë arsye bindëse, por më tepër për atë që ka për të mbetur në jetë të jetëve kryesore, është se lufta zhvillohej në territorin e një populli dhe nga vetë ky popull. Kushdo që lufton duhet të mendohet mirë në ndërtimet e raporteve, kur lufta zhvillohet kundër një populli, e aq më tepër kundër një kombi. Kjo është vërtetuar nga eksperienca e shumë luftërave, por më së tepërmi rezultatet e kësaj dukurie u vërtetuan në shumë vende e popuj, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
 
Detyrat luftarake
 
     Si në çdo veprimtari tjetër luftarake, ashtu edhe në operacionin e mirënjohur “Shigjeta”, në zbatim të idesë së këtij operacioni, u përpilua Urdhri Luftarak, me të gjitha kërkesat e anekset e tij. Ndoshta jo ashtu në mënyrë perfekte e shkollareske, si praktikohet në akademitë ushtarake gjatë proceseve mësimore e stërvitore, por gjithsesi ashtu në nxitim e sipër, si në kushtet e luftës, për kohën që kishim në dispozicion e që e lejuan situatat imponuese. Ky urdhër luftarak përmban të gjitha detyrat konkrete për njësitë e repartet përkatëse, që morën pjesë në këtë operacion dhe në ballafaqim të fakteve konkrete, do të përmend se në atë dokument u pasqyrua realiteti i armikut, pra i forcave serbe, detyra e frontit operativ (operacionit “Shigjeta”), ideja e vendimit, detyrat luftarake të:
-          D.1.O;
-          D.2.O;
-          D.3.O;
detyrat e artilerisë, detyrat e aviacionit mbështetës të NATO-s, sinjalet e komunikimit, gatishmëria për mësymje, vendndodhja e VK e Frontit Operativ dhe drejtimi i lëvizjes së saj. Urdhri u shoqërua me një plan veprimesh luftarake, ku u zbërthyen hollësisht, zbatimi i detyrave, që u kërkuan nga ky urdhër luftarak.
 
Plani i veprimit
 
     Në planin e veprimeve të këtij operacioni, në mënyrë paraprake u zbërthyen proceset më kryesore të fillimit të operacionit, deri në momentin e fillimit të sulmit, sepse për më pas detyrat për çdo drejtim operativ apo taktik, janë të parapara e të shkoqitura në urdhrin luftarak, të shpjeguar më sipër, e që përmban numrin e mirëfilltë 01. Ky plan veprimesh përmban zhvillimet e hollësishme të operacionit “Shigjeta”, duke filluar që nga lëvizja e grupeve të zbulimit për sigurimin e kalimit, lëvizjen dhe marshimin e eskalioneve të para nga rajoni i përqendrimit për në bazën e nisjes; marshimin e eskalioneve të dyta për në rajonet e përqendrimit; lëvizjen e rezervave për në vendvendosjet e tyre dhe disa masa informimi të detyrueshme, për t u kryer nga zbatuesit e këtij operacioni. Vetëkuptohet që gjatë hartimit të këtij plani, për marrjen dhe zbatimin e masave paraprake, u punua nga të gjithë drejtuesit, ditë e natë, që nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Azem Syla, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht komandanti i operacionit, kolonel Bislim Zyrapi dhe nga të gjithë shtabet përkatëse, duke filluar që nga shtabi i operacionit, ata të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e repartet poshtë në batalione, kompani dhe deri tek luftëtari i thjeshtë. Vlen të theksohet se gjatë organizimit të këtij operacioni, u përdorën mjete ndërlidhjeje e komunikimi të sofistikuara, mjete këto që ndihmuan pozitivisht, në ecurinë e zhvillimit të këtij operacioni. Ato u siguruan nga një ekip i veçantë i SHBA, të atij shteti që nuk u ndal asnjëherë për dhënien e ndihmës konkrete, si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe. Me anën e këtyre mjeteve u transmetuan urdhra, detyra dhe udhëzime të ndryshme, në interes të zhvillimit me sukses, të veprimeve luftarake të operacionit. Gjatë këtyre komunikimeve u përdorën kode e shifra të pathyeshme, të ndërtuara posaçërisht dhe enkas për këtë qëllim, duke siguruar fshehtësinë e plotë, gjatë gjithë zhvillimit të veprimeve operacionale, si për palën tonë, ashtu dhe për atë të bashkëveprimit me forcat ajrore të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s.
 
Zhvillimi i veprimeve operacionale
 
    Operacioni “Shigjeta” është i një lloji të veçantë, jo vetëm nga mënyra e planizimit, organizimit, zhvillimit dhe drejtimit, por dhe të zbatimit të formave të reja të luftimit, në përshtatje me kohën, vendin, situatat politike, ekonomike, veprimtarinë diplomatike, e aq më tepër për atë të planizimit të luftës psikologjike, që u aplikua e zhvillua me sukses, gjatë gjithë gjerësisë e thellësisë frontale. Kjo veprimtari e re, e zbatuar gjatë operacionit “Shigjeta”, konsistoi në një seri manovrash të lëvizjeve taktike të forcave nga fronti në thellësi, anasjelltas dhe paralel me frontin, duke krijuar imazhe të rreme, për sasinë numerike të forcave dhe të mjeteve në përdorim, gjatë këtyre veprimeve operacionale.Në theksim të të rejave të aplikuara gjatë zhvillimit të operacionit “Shigjeta”, është në të mirë jo vetëm të së tashmes, por dhe të ardhmes, për të nxjerrë në pah zhvillimet, se si janë kryer këto veprime gjatë këtij operacioni. Kështu, në vazhdimësi të këtij zbërthimi, theksojmë se ky operacion, nuk u fillua e u vazhdua njëherësh në të gjithë frontin, por u nda në dy faza për një arsye të vetme dhe kryesore. Ajo kishte të bënte me mungesën e theksuar të municioneve e pjesërisht të armatimit, në njësitë e UK.së, që vepronin në brendësi të territorit të Kosovës. Nisur nga kjo gjendje paraoperacionale, u pa e arsyeshme e u gjykua, që duke shfrytëzuar ndërhyrjen e fuqishme të NATO-s dhe çoroditjen e forcave Serbe pas ndërhyrjes ajrore të aleancës, të jepej një goditje e shpejtë dhe e befasishme me forcat frontale të Drejtimit Operativ Nr.2 në kufirin imagjinar drejt Koshares, duke filluar në këtë mënyrë dhe fazën e parë të operacionit “Shigjeta”.
 
     Faza e parë e këtij operacioni, e njohur edhe si Beteja e Koshares, u studiua e u vlerësua me imtësi gjatë planizimit të saj, duke u zbërthyer me hollësi në interes të zhvillimeve të mëtejshme, nga vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapi e stafi i tij drejtues i këtij operacioni. Në këtë fazë forcat e inkuadruara, që sipas urdhrit luftarak u quajtën Drejtimi i 2-të Operativ, morën për detyrë të mësyjnë në brezin: Bardoc (6020-6030), Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095), Vlana(0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me focat e ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethojnë dhe asgjësojn armikun përballë dhe të kapin vijën Ferizaj(1030-9050), Lipjan (1000-0095), në të pastajmen, duke futur në luftim eskalionin e dytë, të vazhdonin mësymjen në drejtim të qytetit të Prishtinës. Kjo betejë e vërtetë, e zhvilluar nga UÇK-ja, me pjesëmarrjen e forcave të emërtuara sipas këtij kodimi operacional Drejtimi i 2-të Operativ, përfshinte Br138; 134; ZO Dukagjinit dhe forcat e tjera në krah, front dhe thellësi. Sipas referimit të ngjarjeve të zhvilluara të asaj kohe dhe dokumentacionit ekzistues, del që urdhrin për fillimin e Betejës së Koshares, si faza e parë e operacionit “Shigjeta”, e ka dhënë vetë ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, kolonel Bislim Zyrapi, urdhër të cilin, ia ka komunikuar për veprim komandantit të Br138 Rrustem Berisha, aktualisht dhe komandat i Drejtimit të 2-të Operativ.
     Rëndësia e madhe e këtij operacioni, i cili fillon me fazën e parë të tij, Betejën e Koshares, del akoma më tepër, me interesimin e madh që i ka kushtuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nëpërmjet ministrit të saj të Mbrojtjes të asaj kohe, Azem Syla, i cili së bashku me antarë të tjerë të këtij operacioni dhe të SHP të UÇK-së, pas kontrollit dhe inspektimit të veprimeve përgatitore, nga afër të këtij operacioni, në konsultim të ngushtë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kolonel Bislim Zyrapin dhe komandantin e Drejtimit të 2-të Operativ, përkatësisht komandantin e Brigadës 138, Rustem Berishën, vendosën dhe sulmi filloi i befasishëm, në orët e hershme të mëngjesit, e pikërisht në orën 3,30 të datës 9 prill 1999.
     Vetëkuptohet që sulmi ishte tepër i furishëm dhe plotësisht i befasishëm. Lufta për kapjen e Koshares nuk u zhvillua si në vaj, si e përshkruajnë disa autorë shkrimesh këndej dhe andej kufirit. Kjo betejë ishte sinonim i veprimit të rrufeshëm luftarak të UÇK-së, në përballje me forcat serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Mirëpo, si në të gjitha përpjekjet luftarake të UÇK-së, për vite me radhë në të gjithë thellësinë e Kosovës, ashtu edhe në Koshare, fitoi sulmi shpirtëror luftarak i shqiptarëve të Kosovës Shqiptare, i cili mposhti ushtrinë e blinduar serbe të pseudo-Jugosllavisë së ngelur në vdekje e sipër. Sulmi në kufirin shqiptaro-shqiptar, i mbrojtur nga sllavët e jugut, me dëshirën e një Serbie të Madhe, ishte vepër vetëm e UÇK-së, asaj UÇK-je që në radhë të parë simbolizonte gjakun e derdhur jo vetëm në shekuj, por në veçanti, atë të derdhur në këtë luftë të fundit, atë të derdhur në Prekaz nga Jasharajt legjendarë, atë të Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, Mujë Krasniqit, Ilaz Kodrës e deri tek Agim Ramadani, pikërisht këtu në Koshare. Jehona e Koshares pati një ndikim të veçantë në ide, mendim e veprim, e sidomos në atë moral si faktor kryesor, në zhvillimin e arritjen e suksesit luftarak. Kjo betejë krijoi kushte të reja furnizimi, jo vetëm për Kosharën, por për të gjitha zonat e tjera operative në thellësi. Me këtë veprim, SHP i UÇK-së realizoi njërin synim të operacionit “Shigjeta”, duke i treguar mbarë opinionit ndërkombëtar, se UÇK-ja nuk ishte një ushtri vetëm për luftë guerile e partizane, por ishte një ushtri, që kur e lyp nevoja, di të sulmojë frontalisht, e jo vetëm kaq, por të realizojë objektivin, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme kundërshtarit, asaj ushtrie që e quante vetën si të pathyeshme.
     Faza e dytë e operacionit “Shigjeta”, mbështetur në ecurinë e veprimeve luftarake në thellësi të Kosovës, e sidomos atij në Koshare, u organizua, u zhvillua e u drejtua në kushte më të përshtatshme se sa “Shigjeta-1”, pra Beteja e Koshares. Lufta e Pashtrikut, siç quhet në fjalorin e përditshëm, sipas kodifikimit operacional në kuadrin e përgjithshëm të operacionit “Shigjeta”, u quajt “Shigjeta-2”. Kjo fazë e gjithë “Shigjetës”, mbajti këtë emër me shifrën e koduar “2”, deri në fillimin e sulmit të Drejtimit të 1-rë Operativ mbi forcat serbe në brezin:
Bërdoc (6020-6030),
Ferizaj (1030-9050),
Lipjan (1000-0095),
Vlana (0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me Drejtimin e 2-të Operativ, forcat e ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethonte dhe asgjësonte armikun përballë dhe të kapte vijën:
Ferizaj (1030-9050),
Lipjan (1000-0095).
Në vazhdim, duke futur në luftim eskalionin e dytë në bashkëveprim me D.2.O. dhe ZO të Pashtrikut, ZO të Dukagjinit, ZO të Drenicës, ZO Mitrovicës, Z O Llapit, Z O Narodimes dhe Z O Karadakut, të vazhdonin luftimin mësymës në thellësi të Kosovës, në drejtim të qytetit të Prishtinës. Lufta në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, e sidomos në drejtim të Pashtrikut, ishte një ndeshje luftarake shumë e rreptë, sepse forcat serbe, pas Betejës së Kosharës, në drejtimin e Pashtrikut dhe zonës përreth tij, kishin bërë një koncentrim të madh të forcave, përgjatë gjithë vijës kufitare. Përveç të gjitha forcave organike të Korpusit 52 të Prishtinës, në këtë zonë kufitare, ushtria serbe në këtë pjesë të kufirit kishte futur në formacionin e përgjithshëm luftarak edhe Brigadën Parashutiste të Korpusit Special të Beogradit, forcat e së cilës kishin një përgatitje të lartë e të veçantë. Komandës të operacionit “Shigjeta”, vetëkuptohet që i dolën probleme lidhur me këtë gjendje luftarake të ndërlikuar, por që u kalua me një moral tepër të lartë dhe me intensifikim të madh sulmesh e goditjesh, të fuqishme, të njëpasnjëshme e të suksesshme.
     Në vazhdim të zhvillimeve të mëtejshme, pas shumë përgatitjeve të forcave të UÇK-së në Burrel, Tiranë, Kolsh dhe Helshan, si dhe për sulmin në Koshare, pati debate e konsultime, tepër të frytshme, e sidomos me pjesëtarët “Miqtë e ajrit” specialistë të ardhur nga SHBA, ku nëpërmjet mikrooperacionit tepër sekret “Dora e tërthortë”, u përcaktuan veprimet e mëtejshme për ruajtjen e fshehtësisë të bashkëveprimit. U arrit vënia në dispozicion e aviacionit gjuajtës-bombardues taktik dhe strategjik të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s, në mbështetje të plotë, për neutralizimin gradual deri në asgjësimin e forcave të Brigadës Parashutiste të Korpusit të Beogradit, të vendosura kryesisht në mbrojtje në vijën e parë dhe atyre në thellësi.
     Edhe në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, u ndryshua taktika dhe manovra, e cila konsistoi në bombardimin me aviacion për disa ditë rresht dhe fshehtësinë e fillimit të sulmit. Nisur nga parimet ekzistuese të mësymjes frontale, duhej që përgatitja me aviacion e shumta, duhej të zgjaste 30-45 minuta. Mirëpo në fakt nuk ndodhi ashtu. Përgatitja me aviacion zgjati disa ditë, aq sa forcat serbe u çoroditën dhe kur më 26.05.1999 forcat e Drejtimit të 1-rë Operativ, u hodhën në sulm në mënyrë të befasishme, forcat serbe nuk e prisnin këtë situatë luftarake sulmuese. Prandaj, edhe suksesi ishte tepër i madh, por nuk u shfytëzua si duhet arritja e tij. Forcave serbe iu shkaktuan humbje të mëdha në njerëz e teknike ushtarake. Qëllimi u arrit sipas planit të parashikuar e të planifikuar nga organet drejtuese. Gjatë këtij operacioni ranë në fushën e luftës 17 dëshmorë dhe u plagosën 78 luftëtarë, prej të cilëve 3 dëshmorë dhe një i plagosur, i përkasin efektivit të batalionit “Atlantik”, të shqiptaro-amerikanëve të ardhur nga kontinenti i Perëndimit të largët. Fillimi i mësymjes, në front të gjërë me të gjitha forcat e operacionit “Shigjeta”, në gërshëtim të ngushtë, me të gjitha forcat e zonave operative të Dukagjinit, Pashtrikut, Drenicës, Llapit, Mitrovicës, Karadakut e Nerodimës, nën mbështetjen e fuqishme të aviacionit të NATO-s, arsyetuan ushtarakisht, qëllimin e ndërmarrë operacional, për t u sulmuar qytetet kryesore të Kosovës, nga ku, duke dhënë goditje të fuqishme, të çliroheshin ato dhe të krijoheshin kushte, për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Vetëkuptohet që rrjedha e veprimeve luftarake e operacionit “Shigjeta” në veçanti dhe e krejt veprimeve luftarake të UÇK në përgjithësi, gjatë muajve mars-prill-maj-qershor 1999, u gërshetuan dhe u mbarsën me shumë veprime të ngjeshura politike, diplomatike e psikologjike, të cilët ndikuan në rrjedhën e zhvillimit luftarak, duke sjellë ndryshime tepër të ndjeshme nga dita në ditë, e sidomos në fund të muajit maj e fillimit të qershorit 1999, nga ku për pasojë të progresit të veçantë e të përgjithshëm të veprimeve luftarake të UÇK-së e NATO-s, u arrit kapitullimi dhe nënshkrimi i Traktatit të Kumanovës, për tërheqjen e forcave jugosllave nga krejt Kosova.
 
Mendime pasoperacionale
 
     Operacioni “Shigjeta” ishte hapi vendimtar historik i Qeverisë së Përkohshme, në luftë për çlirimin e Kosovës. Si i tillë, ai u hodh me mençuri të paparë, që në fillimet e tij e deri tek ai përfundimtar, të largimit të krejt forcave jugosllave nga territori i Kosovës. Dosja e operacionit “Shigjeta” është me rreth 200 e ca faqe dhe përbëhet nga disa kapituj, ku me hollësi paraqiten planizimi, ideja, qëllimi, zhvillimi si dhe urdhrat vendimmarrëse. Ka pasur individë në luftë dhe pas lufte që janë interesuar direkt apo indirekt, për t u njohur me këtë dosje operacionale. Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet, që çdo gjë ta vënë në funksion të vetvetes, për t u bërë madhështorë në rrjedhat historike të pasluftës. Por, e vërteta ka qenë e do të mbetet e vërtetë, sepse ajo i takon popullit dhe bijve të tij luftëtarë, që ashtu siç ditën të luftojnë në ato ditë të stuhishme e luftarake, me të njëjtën sakrificë, do të luftojnë edhe sot në mbrojtje të historisë së popullit të vet, për ta ruajtur atë krejtësisht të pastër, sepse duke ruajtur pastërtinë historike, ruajmë amanetin e të rënëve, ruajmë ardhmërinë e kombit shqiptar.
 
Shkruan: Spiro Butka ( Autori është një nga ish-drejtuesit kryesorë të operacionit “Shigjeta”, tani Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Tiranë. )
 
( Përgatiti për botim moderatori i www.pashtriku.org )
 
 
powered by Beepworld