Në Shtugart të Gjermanisë

 

 

U THEMELUA DEGA E SHOQATËS SË ISH

TË BURGOSURVE POLITIKË SHQIPTARË

 

 

   

 

     Më 27 shkurt 2011, në Shtugart të Gjermanisë, në organizim të Këshillit Inicues (KI) i përbërë nga ish të burgosur politikë, u mbajt Kuvendi themelues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë me qëndrim në Gjermani. Në kuvend morën pjesë shumë ish të burgosur, që kishin vuajtur burgjeve famëkeqe të ish’Jugosllavisë komuniste të Titos e Millosheviqit. Kuvendi i fillojë punimet me intonimin e Himinit Kombëtar dhe pastaj me një minut heshtje u nderuan të gjithë dëshmorët e rënë për çështjen tonë kombëtare. Në emër të Këshillit Inicues (KI), Kuvendin e hapi dhe e kryesoi veprimtari Bilall Syla, i cili pasi i përshëndeti pjesëmarrësit në Kuvend, foli për aktivitetin e këtij këshilli. Ai, tha se Këshilli Inicues i përbërë nga unë, Hakif Rexhepi, Sheradin Berisha, Bujar Zogiani dhe Xhemail Aliu, ka mbajtur disa takime ku është biseduar shumëanshëm lidhur me organizimin e të burgosurve politikë shqiptarë me qëndrim në Gjermani. Për këtë qëllim, B.Syla ka kontaktuar disa herë me anëtarë të kryesisë qëndrore të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK) me seli në Prishtinë (Nexhmi Kelmendin dhe Gani Sylën) dhe pasi ka marrë pëlqimin se mund të organizohemi si Degë e Shoqatës, në takimin e fundit të mbajtur në Shtutgrat - më 30 Janar 2011, janë pajtuar që më datën 27 shkurt 2011 të mbajnë Kuvendin Themelues të Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë me qëndrim në Gjermani.

 

Shtutgart, 27 Shkurt 2011: Fillimi i punimeve të Kuvendit.

 

 

     Në vijim, pasi janë prezentuar të gjithë pjesëmarësit në Kuvend, z.Syla ka paraqitur Programin dhe Statutin e SHBPK’së, mbi bazën e të cilave do të veproj Dega e Shoqatës në Gjermani. Në këtë kuadër anëtari i KI Sheradin Berisha, ka lexuar disa pjesë të Programit dhe Statutit, dhe ka dhënë disa sqarime bazike lidhur me aktivitetin e shoqatës. z. Berisha, me këtë rast ka theksuar:  ”Të burgosurit politikë zënë një vend të veçantë në historinë e re të Kosovës, të cilët përbënin rreth 80 % te numrit të përgjithshëm të të burgosurve politikë në Ish’Jugosllavi dhe procentualisht ishin më shumë krahasuar edhe me Republikën e Afrikës së Jugut. Llogaritet se vetëm pas viti 1981 janë shqiptuar mbi 30. 000 dënime politike penale ose kundërvajtëse. I pashembullt ishte edhe mënyra e trajtimit të të burgosurve politike në Kosovë. Edhe pse ishin burgosur dhe dënuar ekskluzivisht për vepra të qena e të paqena politike e propagandistike, ata, pothuajse pa përjashtim, ishin objekt i represionit të egër e brutal, dhunës dhe torturave të llojllojshme e sistematike që kishin synim jo vetëm thyerjen e tyre morale e shpirtërore, por edhe rrënimin dhe shkatërrimin e tërësishëm edhe të familjeve të tyre. Pothuajse të gjithëve pa përjashtim u janë rrënuar shëndetin, karriera e pasuria. Janë me qindra e me mijëra ish të burgosurit politikë që ende vuajnë pasojat e burgut dhe padrejtësive të ish sistemeve e regjimeve totalitare. Burgosjet politike kishin synim jo vetëm ndëshkimin por madje edhe zhbërjen e plotë të tyre dhe të popullit shqiptarë. Ish të burgosurit gjat okupimit serb, ishin një forcë çlirimtare (që kulmoj me UÇK’në), emnacipuese e demokratizuese, ashtu edhe në proceset aktuale të vendosjes së paqes, e normalizimit politikë dhe janë të organizuar nëpër të gjitha partitë politike, asociacionet dhe institucionet tjera të shoqërisë sonë. Ata shquhen për përkushtim, parimësi e ndershmëri dhe si të tillë përbëjnë edhe sot dhe do të përbëjnë edhe në të ardhmen një faktor tejet të rëndësishëm kohezioni, pajtimi, balancimi, mobilizimi e progresi të përgjithshëm. Ish të burgosurit politikë kanë qenë në vijimësi jo vetëm repart pararojë i lëvizjes sonë çlirimtare e demokratike shtetformuese, por në të njëjtën kohë ata kanë funksionuar si faktor moderimi e maturimi në proceset politike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Ata ishin promotorë i proceseve çlirimtare, por në të njëjtën kohë ishin edhe promovues të frymës së afrimit e pajtimit ndëretnik në Kosovë e më gjerë. Krahas angazhimit të tyre të vazhdueshëm për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të çështjes së Kosovës, ish të burgosurit politikë janë angazhuar në vijimësi edhe për zgjidhje të drejta edhe për problemet e shumta shoqërore me të cilat përballet shoqëria jonë dhe kategoritë të saj të caktuara. Në këtë kuadër, ka ardhur koha që të adresohen dhe të vihen në rrugë të zgjidhjes edhe problemet me të cilat përballen edhe vetë ish të të burgosurit politikë. Edhe përkundër faktit se të burgosurit politikë në Kosovë ishin njëra nder kategoritë më të dëmtuara jo vetëm të shoqërisë kosovare, por edhe krahasuar me kategoritë e ngjashme në vendet tjera ish komuniste, të burgosurit politikë të Kosovës praktikisht nuk kanë gëzuar kurrfarë trajtimi dhe përkujdesje shoqërore e institucionale. Angazhimi vetëmohues i brezave të ndryshëm atdhetarë ishte jo vetëm në funksion të çlirimit kombëtar, por edhe atij shoqëror. Aspirata çlirimtare kishte brenda edhe dimensionin humanist, edhe vizionin për drejtësi shoqërore në Kosovën e lirë ku të gjithë njerëzit pa dallim do të jetonin të lirë, të lumtur e të barabartë. Debatin shoqëror dhe angazhimin konkret për zgjidhjen e çështjes së tyre të pazgjidhur, ish të burgosurit politikë e konsiderojnë pjesë të dialogut të përgjithshëm shoqëror dhe procesit të kompletimit të strukturës institucionale dhe infrastrukturës ligjore të realitetit të ri në Kosovën e re.

 

Pamje gjatë punimeve të Kuvendit.

 

     Duke u nisur nga këto premisa të Shoqatës, Sh.Berisha në vijim ka nënvizuar:

- Shoqata e ish të Burgosurve Politikë është shoqatë joqeveritare, në funksion të realizimit të synimeve, të drejtave dhe interesave të anëtarëve të saj dhe kategorive shoqërore që përfaqëson.

- Shoqata e ish të Burgosurve Politikë ndjek proceset dhe zhvillimet e përgjithshme shoqërore e politike, evidencon tendencat dhe fenomenet me pasoja negative për vendin dhe kombin dhe nxit faktorët përgjegjës për të marrë masat përkatëse;

- Shqyrton në vazhdimësi gjendjen e të ish të burgosurve politikë, problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballen ata dhe angazhohet për adresimin dhe zgjidhjen e tyre ligjore e institucionale;

- Shqyrton aktet ligjore e nënligjore me anë të cilave rregullohet pozita dhe të drejtat e ish të të burgosurve politikë dhe jep ndihmesën e saj për gjetjen e zgjidhjeve adekuate dhe zbatimin e tyre në praktikë;

- Bën evidencimin e të dhënave për ish të burgosurit politikë, të përndjekurit, të persekutuarit, të rrëmbyerit e luftës, të të pagjeturve dhe viktimave të të gjitha periudhave, sistemimin dhe kategorizimin adekuat të tyre;

- Grumbullon dokumentacionin dhe artefaktet e ish të të burgosurve politikë dhe siguron sistemimin dhe arkivimin e tyre të standardizuar;

- Përkujdeset për grumbullimin, ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë patriotike, dokumentare, letrare, artistike, publicistike e memoriale, përfshirë botimin e saj dhe prezantimin dokumentar audiovizuel;

- Përkujdeset veçanërisht për grumbullimin, ruajtjen dhe afirmimin e dokumentacionit për dëshmorët e lirisë nga radhët e ish të të burgosurve politikë, shënimin e përvjetorëve të tyre jubilarë, përjetësimin e tyre me anë të monumenteve, lapidarëve e pllakave përkujtimore, botimeve të ndryshme, emisioneve dokumentare, veprave letrare e artistike

- Anagazhohet për zbardhjen e fatit të ish të burgosurve politikë që ende konsiderohen te pagjetur, veçanërisht personaliteteve kombëtare si Ukshin Hoti, Xhavit Haziri e Hafir Shala, si dhe lirimin e të gjithë atyre që padrejtësisht mbahen në burg me motive politike ose kuazipolitike;

- Siguron kushtet dhe mbështetjen e nevojshme institucionale për zbardhjen e krimeve kolektive e individuale të regjimeve totalitare ndaj ish të të burgosurve politikë dhe gjithë popullit të Kosovës;

- Përkujdeset për gjendjen sociale të familjeve të dëshmorëve si dhe familjeve të ish të burgosurve politike në gjendje të rëndë ekonomike, sociale e shëndetësore dhe sigurimin e përkujdesjes së nevojshme institucionale dhe atje ku kjo është e nevojshme edhe ndihmës së nevojshme sociale e humanitare;

- Angazhohet për eliminimin e shkaqeve dhe situatave që prodhojnë fenomenin e burgosjeve politike dhe parandalimin e tyre, si dhe trajtimin dinjitoz, korrekt dhe njerëzor të të burgosurve politikë;

- Angazhohet që, në funksion te arritjes së pajtimit të qëndrueshëm kombëtar, transformimit shoqëror demokratik dhe parandalimit te rikthimit të praktikave te burgjeve politike, të sigurohet baza e nevojshme ligjore dhe të nis zbatimin e procesit të lustrimit në funksionet e larta shtetërore dhe veçanërisht në gjyqësi, sistemin e drejtësisë dhe sistemin e sigurisë;

- Vendos marrëdhënie bashkëpunimi e koordinimi me shoqata simotra nga hapësira shqiptare dhe më gjerë;

- Angazhohet për bashkëpunim me institucione e asociacione përkatëse ndërkombëtare dhe shfrytëzimin e përvojës së përparuar ndërkombëtare për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të ish të të burgosurve politikë dhe kategorive tjera të përfshira në këtë ligj.

 

Pamje gjatë punimeve të Kuvendit.

 

 

*  *  * 

     Në pjesën e dytë të kuvendit është zhvilluar një diskutim i gjerë lidhur me rolin dhe rëndësinë e themelimit të shoqatës si dhe trendin e funksionimit të saj. Në këtë drejtim kanë diskutuar: Sheremet Pantina, Tefik Ramadani, Ali Elshani, Can Tahiri, Agim Dauti, Faridin Tafallari, Asllan Muzaqi, Asllan Dibrani, Enver Spahiu, Hakif Rexhepi, Habib Suka, Remzi Lushi, Sinan Kryeziu, Sheradin Berisha, Xhavit Topalli, Shyqëri Emini, Bilall Syla, Xhemail Aliu, Sejdi Fazliu, Bedri Fazliu, Bujar Zogjani, Smajl Morina, Mustafë Lipaj, Binak Dinaj, Nazmi Ahmeti dhe Ismet Badallaj.

     Në këtë kuadër pati diskutime dhe debate të ndërsjella lidhur me programin dhe statutin e SHBPK’së, ku u sipërfaqësuan disa çështje që kanë të bëjnë me statusin e një ish të burgosuri politikë dhe fushëveprimtarinë e Shoqatës. Konkretisht shumë diskutues nuk u pajtuan me nenin 21 të Shoqatës, ku thuhet, se: “Anëtar i Shoqatës mund të jetë personi i cili është përndjekur për motive politike dhe është mbajtur në burg më shumë se 48 orë…“, për faktin sepse siç u theksua, nuk mund të konsiderohet i burgosur politikë një person që për një eksces të rastësishëm publik ka qëndruar mbi 48 orë në polici apo dikush që është denuar me 15 - 30 ditë burg për kundërvajtje dhe për më tepër nuk mund të cilësohen të burgosur politikë për çështje kombëtare soji i Azem Vllasit dhe i të gjithë udbashëve e policëve, të cilët gjatë viteve 80’të kanë diferencuar, persekutuar e dënuar qindra e mijëra të rinjë e të reja shqiptare, vetëm pse kanë kërkuar që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

     Sa i përketë fushëveprimtarisë, pjesëmarrsit në Kuvend kërkuan që Shoqata ta shtrijë aktivitetin e saj në të gjitha landet e Gjermanisë dhe në këtë kuadër të bëjë evidentimin e të gjithë të burgosurve politikë që jetojnë në këtë shtet. Gjithashtu u kërkua që shoqata (pavarësisht nga bindjet politike të anëtarëve të saj dhe aderimit të tyre në parti politike) në vazhdimësi të ketë qëndrim të qartë e të paanshëm ndaj zhvillimeve që dëmtojnë intersat politike e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë e në viset tjera të etnikumit shqiptarë, dhe ato t’i shpreh publikisht përmes deklaratave, komunikatave, etj. Në kuadër të këtij debati, (duke patur parasysh rrethanat e veprimtarisë së shoqatës jashtë Kosovës), u kërkua që kryesia e shoqatës që do të dalë nga ky Kuvend, të përshtas Programin dhe Statutin sipas legjislacionit gjermanë për të drejtat e funksionimit të shoqatave dhe subjekteve të ndryshme për të huajt, por, pa e prekur substancën e Programit dhe Statutit të SHBPK’së.

 

*  *  *

     Në pjesën e tretë të Kuvendit u zgjodh Kryesia e Shoqatës. Në këtë seancë zgjedhore kuvendin e kryesuan: Can Tahiri, Asllan Dibrani dhe Asllan Muzaqi. Për anëtarë të kryesisë u zgjodhën nëntë anëtarë, të propozuar dhe të votuar një nga një nga pjesëmarrësit në Kuvend. Gjatë këtij procesi transparent u zgjodhën nëntë (9) anëtarë të kryesisë: Bilall Syla, Tefik Ramadani, Sheradin Berisha, Agim Dauti, Binak Dinaj, Ali Elshani, Bujar Zogjani, Xhavit Topalli dhe Shyqëri Emini. Gjatë kohës kur kuvendi po bënte një pauzë, kryesuesi i seancës Can Tahiri mbajti një takim të veçantë me anëtarët e kryesisë së shoqatës për të zgjedhur drejtuesit e këtij organizmi. Në këtë takim Tefik Ramadani ka propozuar Sheradin Berishën për kryetar të shoqatës, por ky i fundit nuk ka pranuar këtë detyrë për shkak të obligimeve të shumta që ka në moderimin e faqes pashtriku.org etj., ndërkohë që ka paranuar ta kryej detyrën e përgjegjësit për informim. Në vijim Bilall Syla ka propozuar Binak Dinajn për kryetar, por i njejti ka deklaruar se nuk mund ta kryej këtë funksion, ndërsa ka pranuar propozimin e Bujar Zogjanit që të kryej funksionin e arkatarit, gjë që është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e kryesisë. Ndërkohë Ali Elshani ka propozuar Agim Dautin për kryetar dhe është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e kryesisë që ai të jetë kryetar i shoqatës. Sheradin Berisha ka propozuar Bilall Sylën për nënkryetar dhe është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e kryesisë, Bujar Zogjani njëzëri u zgjodh Sekretar i shoqatës, ndërsa për koordinatorë u caktuan: Tefik Ramadani dhe Xhavit Topalli.

 

Takimi i anëtarëve të kryesisë së shoqatës gjatë kohës kur 

Kuvendi ishte në pauzë.

 

 

Kryesuesi Can Tahiri, duke i lexuar drejtuesit e zgjedhur të kryesisë.

 

 

*   *   *

     Në pjesën e fundit të kuvendit, kryesuesi Can Tahiri, pjesëmarrësit në Kuvend i njoftoj se anëtarët e kryesisë kanë zgjedhur:

 

1. Agim Dautin - kryetar,

2. Bilall Sylën - nëkryetar,

3. Bujar Zogjanin - sekretar,

4. Binak Dinajn - arkatar,

5. Sherdin Berishën - anëtar,

6. Ali Elshanin - anëtar,

7. Tefik Ramadanin  - anëtar,

8. Xhavit Topallin - anëtar,

9. Shyqëri Eminin - anëtar,

 

Kryetari i Shoqatës Agim Dauti, gjatë fjalës përmbyllëse...

 

 

     Në fjalën përmbyllëse, Kryetari i Shoqatës Agim Dauti, pasi e faleminderoj kuvendin për besimin e dhënë u zotua se këtë detyrë do ta kryej me përgjegjësi të lartë. Shoqata selinë do ta ketë në Shtutgart dhe pasi të kompletohet dokumenatcioni dhe përshtatja e Programit dhe Statutit konformë ligjeve gjermane ajo do të regjistrohet tek autoritetet zyrtare të këtij shteti. Në fund u diskutua edhe për organizimin e manifestimit, kushtuar 30 vjetorit të demonstrative të pranverës së vitit 1981, që pritet mbahet më 21 maj 2011 në Heidelberg të Gjermanisë.

 

Përgjegjësi për informim i SHBPGJ’së

Sheradin Berisha

Shturgart, 02. 03. 2011

 

..

 

 

F  T  E  S  Ë

 

 

MË 27 SHKURT - FORMOHET SHOQATA

E TË BURGOSURVE POLITIKË NË GJERMANI

 

     Këshilli Inicues i përbërë nga një grup ish të burgosurish politikë, pas një sërë takimesh konsultative më 30 Janar 2011, vendosi që më datë 27 shkurt 2011 (të dielën) në Shtutgart, të mbahet Kuvendi Themelues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë me qëndrim në Gjermani.

     Kuvendi mbahet në këtë adresë:

     Getränkemarkt HAHN

     Gnesenerstrasse 102 70374 Stuttgart - Bad Canstadt,

     duke filluar në orën 13:00.

     Me këtë rast ftohen të gjithë të burgosurit politikë, që të marrin pjesë në Kuvend. Për informata tjera më të hollësishme mund të  lajmëroheni në telefonat mobil:

 

015115206763 dhe 017677339994

 

 

Shtutgart, 30 Janar 2011: Keshilli Inicues - Xhemail Aliu,

Hakif Rexhepi, Bilall Syla, Bujar Zogjani dhe Sheradin Berisha.

 

 

 

( Moderatori i www.pashtriku.org - 23. 02. 2011 )

 

 

 

powered by Beepworld