Fati i Flamurit tonë historik!

_______________________________________________________________________________________

 

KUSH E DOGJI FLAMURIN

E ISMAIL QEMALIT?!

 

 

Shkruan: Sheradin Berisha

 

 

 

Marigo Pozio dhe Flamuri historik i Ismail Qemalit

 

      Për shumë vjet në historiografinë shqiptare ka dominuar versioni zyrtar se, flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga korçarja Marigo Pozio, e cila atëkohë jetonte  në Vlorë, dhe për më tepër  është thënë se ajo e qëndisi flamurin brenda natës. Por, si duket ky version i shndërruar në mit, kohëve të fundit nuk i kënaq të gjitha interpretimet tjera që bëhen nga historianët tanë. Po t´i referohemi kujtimeve të Eqrem bej Vlorës (kushëri i Ismail Qemalit), del se Marigo Pozio Flamurin  e ka qëndisur disa ditë pas mbajtjes së Kuvendit të Vlorës, duke u bazuar në flamurin e tij personal, të cilin e kishte ngritur Ismail Qemali - më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

 

*  *  *

        Një version tjetër që spikatet në kujtimet e pjesëmarrësve të Kuvendit të Vlorës është, se flamuri që u ngrit në Vlorë ishte po ai, i njejti që e zbukuronte podiumin e Hotelit „Kontinental“ në Bukuresht, në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, gjatë takimit që mbajti Ismail Qemali me komunitetin shqiptar në Rumani. Në këtë takim realisht u vendos që Shqipëria të shpallë Pavarësinë e plotë nga Perandoria Osmane, e cila pas kryengritjes së përgjithshme shqiptare të verës 1912 po i numronte ditët e fundit në Ballkan. Dhe, kjo do të ndodhë 23 ditë më vonë, saktësisht më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës. Sipas këtij versioni, të gjitha burimet përmblidhen në një pikë, se Spiridon Ilo (Përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bukuresht) e kishte marrë Flamurin nga kryeqyteti rumun dhe gjatë udhëtimit me delegacionin e Ismail Qemalit për në Shqipëri, do ta mbante tërë kohën me vete, në gji. Në këtë kontekst, ndonëse Spiridon Ilo ishte djal i tezes së Marigo Pozios, ai më 27 nëntor 1912, (kur karvani i Ismail Qemalit erdhi në Vlorë), natën do ta kaloi në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe thuhet se, Marigo Pozio brenda natës i ka qëndisur vetëm theket e flamurit (por jo krejt flamurin), që e kishte sjellur z.Ilo nga Bukureshti.

 

 

Flamuri i Spiridon Ilos që e kishte sjellur nga Bukureshti.

 

     Ndërkaq, Vangjo Ilo (djali i Spiridon Ilos) në kujtimet e tij, thotë, se: flamuri që ka sjellë i ati i tij nga Bukureshti në Vlorë, ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe përmasa ka qenë një metër me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat siç u tha më lartë, i ka qëndisur Marigo Pozio.

 

*  *  *

      Ekziston edhe një version tjetër për sjelljen e flamurit në Vlorë, e, që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë në mesin e komunitetit shqiptarë që jetonë në SHBA, është përfolur se, flamuri që u ngrit në Vlorë është qëndisur në Boston të Masacusets. Për këtë çështje madje ka shkruar edhe gazeta „Dielli“ që botohet në Amerik.  

        Në një shkrim të Qerim Panaritit thuhet, si vijon:

        Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz një vit më parë se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë.“ Në vijim z.Panariti thotë se: “Detyra e mbajtësit të flamurit ju ngarkua z. Naçi Nuçi, ish mësues i gjuhës sonë shqipe në Korçë dhe më pas, pas ndalimit të shkollës, ai punoi si instruktor në një shkollë tregëtare në Korfuz dhe ndihmonte tregëtarët Shqiptarë." Z. Naçi ishte një mik i çiftit tregëtar Pozio nga Vlora të cilëve ua besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur derisa t'ju kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë ta ndanin nga Turqia. Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe i lyer me ar në majën e së cilës gjendej një shqiponjë me dy koka prej fildishi…“  

        Për hollësi të tjera, se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë shqiptaro-amerikane Koli Rodhe. Aty vihet në pah se, Marigo Pozio nga Oçishti i Korçës (grua e një tregëtari vlonjat), ndonëse ato ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.

 

Si e dogjën grekët flamurin historik,

më 1914 në Delvinë?!

 

     Përveç versioneve, të shpërfaqur më lartë, ekzistojnë tashmë edhe argumente tjera për këtë çështje. Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, thotë se, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte një flamur personal, pronë private e tij, që e mbante në shtëpi si kujtim, të dhuruar solemnisht në vitin 1909 në Paris, nga një pinjoll i familjes Kastrioti, don Aladro Kastrioti. Dhe këtë pohim të Eqrem bej Vlorës e vërtetojnë tashmë disa dokumente (letërkëmbime) që janë gjetur, në maj të vitit 2004, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

 

Eqrem bej Vlora

 

    1. Në dokumentin e parë thuhet se, në vitin 1930 qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm, që flamurin e ngritur në Vlorë (më 28.XI.1912) ta kthente në një material muzeal dhe për këtë qëllim, prefekturës së Vlorës i drejtohet me një letër zyrtare, ku i kërkohej ta  gjejë atë flamur dhe ta sjellin në Tiranë për ta vendosur në Muzeun Kombëtar. Në vitin 1930 pothuaj se të gjithë protagonistët ishin gjallë, përfshirë këtu edhe Marigo Pozion.

    2. Ndërkohë, Prefektura e Vlorës i dërgon një letër zyrtare ministrisë së brendshme të Shqipërisë (ministër i brendshëm ishte Musa Juka) në të cilën sqaron se flamuri, që Ismail Qamali e ka ngritur në Vlorë ishte pronë private e Eqrem bej Vlorës, ashtu siç thotë edhe vet Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij. Së këndejmi, kjo prfekturë kërkonë nga ministria, që t´i drejtohet zyrtarisht Eqrem bej Vlorës, i cili asokohe ishte zyrtarë i qeverisë shqiptare (mbretërisë zogiste) në Athinë.

    3. Zoti Rauf Fico, ministër i jashtëm i Shqipërisë, i dërgon një  letër z.Eqrem bej Vlora në Athinë, dhe kërkon dorëzimin e  flamurit, për ta vendosur në muzeun kombëtar në Tiranë. 

    4. Ndërkohë, Eqrem bej Vlora, organit zyrtarë ia kthen përgjigjen me një letër prej tri faqesh. Në letër ai, pasi e falënderon ministrinë e jashtme, që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin e ngritur në Vlorë, në material muzeal, me keqardhje thotë, se ai flamur nuk ekziston më!

    Më poshtë në letër, z.Vlora thekson se ky flamur, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës - më 28 Nëntor 1912, u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë si të shenjtë. Mirëpo, në vitin 1914 kur në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptar që kishin orientime perëndimore u dogjën tërësisht), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora për në Delvinë e merrë me vete edhe flamurin historik të Kuvendit të Vlorës. Znj.Delvina gjatë tërë kohës këtë flamur e ruante me kujdes të veçantë (si sytë e ballit) së bashku me gjësendet e saja pesonale.

    Në këtë situatë të nderë, kur në vitin 1914, hynë në jug të Shqipërisë, forcat greke „vorio - epirote“, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë, sulmojnë Delvinën dhe meqë familja Delvina ishte në shënjestër për t´u persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre. Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar pothuajse tërësisht Delvinën, ia vuri flakën edhe shtëpisë së delvinajve, dhe me këtë rast, së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi u dogjë edhe flamuri historik.

 

Si përfundim

 

     Duke u bazuar në këto dokumente arkivore, tashmë duket se janë zbehur të gjitha versionet tjera që kanë të bëjnë me fatin e flamurit historik, i cili më 28 Nëntor 1912 qe ngritur nga Ismail Qemali në ballkonin e shtëpisë, ku u mbajt Kuvendi gjithëkombëtar, dhe u shpallë Pavarësia e Shqipërisë në kufijt e saj Etnik.

 

 

 

© Pashtriku.org, Nëntor'2011

 

.

 

powered by Beepworld