____________________________________________________________

 KONFERENCË SHKENCORE E HULUMTUESVE TË GJENOCIDIT NË BOTË

 (www.pashtriku.org – 24.07.2007 / 12:25)

 Konferenca e shtatë shkencore ndërkombëtare e hulumtuesve të gjenocidit në botë,

09 - 13. 07. 2007 Sarajevë

    Ditë më parë në Sarajevë me sukses i përfundoi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare e hulumtuesve të gjenocidit në botë. Në organizim të Institutit për hulumtim të krimeve kundër njerzimit dhe të drejtës ndërkombëtare të Sarajevës dhe të Asociacionit ndërkombëtar për hulumtim të gjenocidit, për pesë ditë me radhë (09 - 13. 07. 2007) i zhvilloi punimet kjo konferecë e cila kishte tubuar ekspertët kulminant botëror të hulumtimit të gjenocidit dhe të krimeve të rënda kundër njerzimit. Si u tha edhe gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës,  për herë të parë mbahet një konferencë e tillë në vendin ku janë bërë krime të rënda kundër njerzimit dhe gjenocid. Në këtë tubim të një rëndësie të veçant ishin të pranishëm mbi 400 pjesmarrës nga mbarë bota, përfshirë këtu edhe Izrael Çarnin kryetarin e Asociacionit ndërkombëtar të hulumtuesve të Gjenocidit, Nënkryetarin Greg Stenton, prof. Aleks Hinton si dhe prof. Dr. Smajl Çekiq, Drejtor i Institutit për hulumtime të krimeve kundër njerzimit dhe të drejtës ndërkombëtare në Sarajevë.

Në mesin e shkenctarëve dhe hulumtuesve të Universiteteve e institucioneve të shumta nga mbarë bota, kësaj radhe në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësures nga Kosova ( Dr, Haki Kasumi, Azem Vllasi dhe Albion Maloku) të cilët në mënyrë të denjë në seancën e veçantë parashtruan të dhëna të shumta për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.  Edhe nga referuesit e tjerë u sollën të dhëna rrënqethëse për krimet e shumta në botë, të bëra deri me tash. Vlen të veçohen referimet për gjenocidin në: Namibi (1904), Armeni (1915-1918 ), Ukrainë (1932-1933 ), Holokausti ( 1938-1945 ), Kamboxhë (1975 ), Guatemalë ( 1982 ), Bosne e Hercegovinë (1992-1995 ), Ruandë (1994),  Drafur (2003- 2007). Në këtë renditje të shembujve të krimeve të rënda kundër njerzimit dhe të gjenocidit është rreshtuar edhe Kosova edhe pse ka mundur të prezentohet në mënyrë shumë më të denjë dhe me një ekip më të kompletuar të ekspertëve të cilët nuk i mungojnë. Në vijim ofrohet kumtesa e njërit prej përfaqësuesve shqiptar të Kosovës e lexuar në gjuhën boshnjake.     

 &

KRIMET SERBE NË KOSOVË GJATË VITEVE 1998 – 1999

Dr.Haki KASUMI

(Kumtesa e Dr.Haki KASUMIT e lexuar në Konferencën e shtatë shkencore ndërkombëtare të hulumtuesve të gjenocidit në botë, mbajtur nga 09 - 13. 07. 2007 në Sarajevë)

 ***

Shkenca e historisë ka vërtetuar përfundimisht se populli shqiptar është autokton dhe se kishte një shtrirje të gjerë. E kaluara e lashtë e këtij populli është interesante, por e ndërlikuar. Përballja e shqiptarëve me pushtues të ndryshëm ndikoi në tkurrje të territoreve shqiptare, në zvogëlim të numrit të popullsisë, në ngecjen e zhvillimit ekonomik, politik dhe arsimor të tij, etj. Kështu ndodhi edhe në fillim të shekullit të XX kur shqiptarët nga robëria e gjatë osmane ranë në robërinë serbo – malazeze. Si pasojë, në njërën anë shqiptarët bënë përpjekje të shumta për çlirim dhe bashkim kombëtar, ndërsa në anën tjetër ata u përballën me dhunë institucionale dhe krime të rënda me tendenca të shfarosjes, që ishin të vazhdueshme dhe të shumta.

Në këtë kumtesë të shkurtër do të përmendim vetëm disa prej tyre. Në shumë dokumente arkivore angleze, serbe dhe turke thuhet se gjatë viteve 1877 – 1912 janë dëbuar me dhunë, masakruar dhe viktimizuar një numër i madh shqiptarësh, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq. Intensiteti i dëbimeve, i dhunës dhe i krimeve serbe u shtua sidomos pas vitit 1912. Nga viti 1912 deri më 1914 nga viset e pushtuara janë dëbuar me dhunë 239.807 shqiptarë. Në të njëjtat dokumente thuhet se edhe 4.000 familje shqiptare kishin shkuar në Anadoll nëpër rrugë kontinentale (shih: Dokumenti o spoljnoj politici kraljevine Srbije, k. VII, sig. I, Bg, 1980, str. 617 – 618). Gjatë kësaj kohe thuhet se janë djegur edhe 132 fshatra shqiptare.

 

Gjithnjë sipas burimeve serbe, gjatë viteve 1918 – 1919, konstatojmë se në këto vise janë vrarë 13.000 shqiptarë, ndërsa në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, përkatësisht deri më 1941 në Turqi janë shpërngulur me dhunë 255.878 shqiptarë (shiko shënimet statistikore në Arkivin DASIP në Beograd).

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore planet serbe për shfarosjen  e shqiptarëve ishin të shumta.

Për shfarosjen e shqiptarëve apo të dëbimit të tyre, me angazhimin shtetëror u përpiluan shumë elaborate. Vasa Çubriloviq autori i elaboratit për zhdukjen e shqiptarëve të vitit 1937, ngarkohet të hartojë një elaborat të ri (1944), i cili do të bazohej në rrethana të reja. Skenarë i ngjashëm ishte edhe Plani i Moleviqit më 1941, Plani i Drazha Mihajloviqit i vitit 1942, Ivo Andriqit etj.

Nga të dhënat e grumbulluara deri më tash është vërtetuar se deri më 1950, janë likuiduar 49.000 shqiptarë. (shiko: Arkivi i NDSH-së 1943 – 1952 në gazetën “Besa” në Stamboll; Arkivi i Jugosllavisë në Beograd 1944 – 1950, Krimet dhe organizatat në Kosovë). Gjatë kësaj periudhe, sipas gazetës “Besa”, organ i komunitetit shqiptar në Turqi, janë shpërngulur 414.500 shqiptarë.

Terrori ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe pas vitit 1966, kur vrasjet dhe presionet ndaj shqiptarëve ishin shndërruar në dukuri. Më 1989 – 1990 qarqet e pushtetit të Beogradit organizuan helmimin e më shumë se 7.400 fëmijëve dhe të rinjve shqiptar, kryesisht nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Në këtë periudhë pushteti serb në krye me Slobodan Milosheviqin suprimoi autonominë e Kosovës dhe ato pak të drejta që kishin shqiptarët dhe popullata tjetër jo serbe.

Më 1998 dhe 1999, Beogradi angazhoi ushtrinë dhe policinë, paramilitarë dhe mercenarë të shumtë për shfarosjen e shqiptarëve. Në emër të luftës kundër “terroristëve” policia, e më vonë edhe ushtria serbe, ushtruan terror të paparë ndaj civilëve shqiptarë. Në përballje të shumta luftarake ndërmjet policisë dhe ushtrisë serbe, në njërën anë dhe të UÇK-së dhe popullatës civile shqiptare në Kosovë, në anën tjetër, u zhvilluan luftime të shumta, ku pati edhe shumë të vrarë nga të dyja palët, kuptohet më shumë nga ana e shqiptarëve. Përveç luftimeve frontale kundër UÇK-së, policia dhe ushtria serbe, të përkrahur nga paramilitarët e ndryshëm, bënë shumë masakra kundër popullatës civile shqiptare, sidomos në fshatrat e regjionit të Drenicës dhe të Dukagjinit.

Në mesin e masakrave më të rënda dhe më të tmerrshme, të cilat i bënë forcat e armatosura serbe në Kosovë ndaj popullatës civile shqiptare, do të përmendim këto: Masakra e Reçakut, e Likoshanit dhe Çirezit, e Prekazit, e Izbicës, e Obrisë, e Poklekut, e Suharekës, e Kralanit, e Mejes, e Godenit, e Rogovës, e Celinës, e Krushës së Madhe e të Vogël, e Lubeniqit, e Makocit, e Kotlinës, e Fushë Kosovës, e qytetit të Gjakovës, e Studimes së Vushtrrisë, e Kaçandollit, e Bajgorës, e Shipolit, e Çabrës... Vlen të veçohet masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 19 e 22 maj 1999, kur pas bombardimeve ajrore  nga forcat e NATO-s, u vranë 3 veta, ndërsa më vonë nga ata që ishin të obliguar t'i ruanin të burgosurit u vranë edhe 114 shqiptarë të burgosur. Si pasojë e veprimeve të tilla të forcave të armatosura serbe në Kosovë u vranë 12. 000 shqiptarë, prej të cilëve mbi 90 % civilë, ndërsa shumë prej tyre u masakruan.

 Gjithashtu, në këtë periudhë nga Organizata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq, si dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut të Kosovës, në vitin 1999 u evidentuan 5.980 njerëz të zhdukur, shumica absolute shqiptarë. Deri me tash nga 7 varreza masive të zbuluara dhe të ekshumuara janë gjetur dhe kthyer në Kosovë 834 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Ka informata edhe për një numër të madh të trupave të shqiptarëve viktima të luftës të cilët janë djegur në furrnalta të ndryshme si në Maçkaticë, Bor, Trepçë dhe Obiliq. Gjatë kësaj periudhe janë shkaktuar edhe shumë dëme të tjera siç janë 200.000 shtëpi të djegura dhe të rrënuara. Ngjashëm është vepruar edhe me shumë institucione kulturore-arsimore e fetare. Po kështu, gjatë viteve të Luftës nga Kosova u dëbuan me dhunë 700.000 shqiptarë në Shqipëri, 210.000 në Maqedoni, 60.000 në Mal të Zi, 20.000 shqiptarë dhe boshnjakë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe 140.000 shqiptarë u dëbuan në viset e tjera të botës.

Në Kosovë deri me tash janë grumbulluar shumë dokumente që dëshmojnë për dhënien e urdhrave, komandimeve dhe zbatimin e tyre, për varrezat masive, për krimet e shumta individuale dhe grupore, të bëra në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, si dhe përpjekjet për fshehjen e gjurmëve të krimit, siç veprohet herë pas herë edhe në ditët e sotshme.

 Më 12. 07. 2007 Sarajevë             Dr. Haki Kasumi       Instituti i Historisë, Prishtinë

*Fotolegjendat janë të pashtriku.org

 Në Krushë të Vogël - dhembje që bëjnë të pëlcasë edhe guri!

 O ZOT, VEÇ T´I SHIHJE FËMIJËT QË NË DUAR MBANIN FOTOGRAFITË E PRINDËRVE TË TYRE...!

 Shkruan Besnik KRYEZIU

(www.pashtriku.org – 22.05.2007)

-------------------------- 

Nga  shtypi njoftohem se delegacioni faktmbledhës i OKB-së gjatë vizitës së tyre në Kosovë do ta vizitojë edhe Krushën e Vogël. Pasi ato ditë po qëndroja në Kosovë vendosa të shkoj edhe unë. Ashtu krejt i pa përgatitur me vete marrë vetëm aparatin fotografik. Rruga për në Krushë është me shumë gropa ashtu si edhe shumë rrugë të tjera  nëpër Kosovë. Në fshatin Mamushë, fshatë ky i banuar kryesisht me minoritet turk, më ndalojnë ushtarë të KFOR-it. Nga uniformat e tyre e kuptoja se ishin ushtarë turq që shërbejnë në kuadër të  KFOR-it. Kërkuan që të më legjitimojnë duke kërkuar dokumentet e mia personale dhe ato të makinës me të cilën po udhëtoja. E gjithë kjo zgjati disa minuta. Duke m’i kthyer dokumentet ushtari nuk harron të më pyes se ku shkoj. I them se po shkoj në Krushë. Foli edhe diçka që unë nuk e kuptova sepse foli në gjuhën turke por nga lëvizja e dorës së tij e kuptova se mundem ta vazhdoj rrugën  për ku isha nisur. Ashtu edhe bëra...

  Diku ka ora 9  arrita  në Krushë. Në fshat kishte policë të Shërbimit Policor të Kosovës, aty këtu edhe ndonjë makinë e KFOR-it gjerman. Oborri i shkollës ku do të priten faktmbledhësit e OKB-së ende nuk ka shumë njerëz. Ka vetëm disa të rinjë e të reja që bëjnë edhe përgatitjet e fundit që çdo gjë të dalë më mirë. Ka edhe disa gazetarë, numri i të cilëve shtohet shumë në momentin kur arrinë ambasadorët. Diku nja gjysmë ore më vonë krushjanët që mbijetuan barbarinë serbe, kryesisht gra e fëmijë fillojnë të vinë në oborrin e shkollës se tyre duke mbajtur fotografitë e të dashurve të tyre në duar, shumë nga të cilët ende  kanë statusin e të pa gjeturit. Unë kisha lexuar, kisha dëgjuar për masakrën e Krushës, kisha besuar se e kam ndier dhembjen me këto nëna dhe këta fëmijë, por ajo që po shfaqet para syve të mi  ishte larg asaj që kisha lexuar, kisha dëgjuar, kisha ndier për këta njerëz. Tani isha në mesin e këtyre nënave, të këtyre fëmijëve dhe po e ndjeja, po e prekja dhembjen e tyre. Dhembja  e tyre ishte e madhe, ishte përvëluese. Kudo lexoje lodhjen dhe frustrimin e tyre me ata që nuk bën asgjë për gjetjen e të dashurve të tyre dhe kapjen e kriminelëve. Edhe njëherë u ndjeva keq, shumë keq për harresën që ne si shoqëri po tregojmë për këta njerëz. Nuk e di se a kishte më shumë fotografi të atyre që bishat serbe i kishin masakruar apo të atyre qe kishin mbetur gjallë, sepse të gjithë ata në duar mbanin nga dy fotografi.

O Zot, veç t’i shihje fëmijët  që në duar mbanin fotografitë e prindërve të tyre, disa nga ta që tani kanë lëshuar shtat nuk i kanë parë fare baballarët e vet sepse në atë kohë kanë qenë  në barkun e nënave të tyre. Filloj t’i shikoj me radhë ato shumë fotografi, ka mosha të ndryshme, dua që duke parakaluar pranë fotografive të tyre të tregoj respektin dhe falenderimin më të madh për ta dhe të gjallët e tyre. Diku ka mesi ndonëse u mundova por më rrodhën lotët, nuk munda më. Po edhe guri të isha do të pëlcisja përballë asaj që po e shihja, e lëre më t´më rridhnin lotët. Nga lëvizjet e shpejta dhe të pa kontrolluara të gazetarëve kuptova se kanë arritur ambasadorët faktmbledhës. Janë të radhitur njëri pas tjetrit. Në krye është kryesuesi i delegacionit, ambasadori belg pastaj të tjerët. Më bie në sy ambasadori i Rusisë. Mbanë syze dielli dhe bën një buzëqeshje cinike deri sa kalon para atyre që kishin dalë t’i prisnin. Ambasadorët ulen në vendet e tyre, përballë kanë nënat dhe fëmijët e Krushës. Përfaqësuesi i fshatit ua rrëfen në detaje tragjedinë që ua kishin shkaktuar serbët. Disa nga ambasadorët mbajnë shënime. Pas disa minutave sa qëndruan të ulur u quan në këmbë për të shkuar te vendi i krimit dhe për t’i dëgjuar ata që kanë pasë fatin të shpëtojnë nga kjo masakër.

Pas kësaj ambasadorët faktmbledhës hynë në autobusin e bardhë me siglën e UN-së. Nuk e di se si janë ndier dhe se cilat kanë qenë përshtypjet e tyre? Por e di se ambasadori rus nuk është ndier mirë sepse po e shihte tmerrin që e kishte shkaktuar shteti që ai po mundohej ta mbronte me çdo kusht. Deri sa të tjerët fillojnë të ikin nga oborri i shkollës sepse ambasadorët tani më nuk ishin, unë po vështroja nënat dhe fëmijët e Krushës që edhe sot me fotografitë e të dashurve të tyre luftuan për pavarsinë e Kosovës, thashë: pse gjithë ky teatër me Kosovën? Këta njerëz nuk kanë nevojë për këtë teatër me skenar ruso-serb. Iki nga Krusha e Vogël me zemër thyer, shpirt plagosur. Lutem edhe njëherë për të vrarët dhe të gjallët. Zoti qoftë me ta. 

 Kthehu ne fillim

 -------------------------------------------------------

Kërkojmë të pagjeturit

KËSHILLI KOORDINUES I ASOCIACIONEVE FAMILIARE TË TË PAGJETURVE TË KOSOVËS ( KKAFPK)

 TEMA : KËRKOJM ZGJIDHJE URGJENTE TË ÇËSHTJES SË TË PAGJETURVE

 

Dr.Haki KASUMI – Kryetar i KKAFPK-së

Ohër, 16 Maj 2007

*Referat i i lexuar në konferencën ndërkombëtare që po mbahet në Ohër me moton:“Adresimi përkatësisht - Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve të Kosovës”. 

--------------------

         Motoja e kësaj konference e cila po mbahet në qytetin pitoresk të Ohrit: “Adresimi përkatësisht - Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve të Kosoves” është edhe moto e punës së KKAFPK-së, konsoderojmë se është moto e punës edhe për të gjithë familiarët e goditur anë e mban rruzullit toksor. Kjo moto dhe ky emërtim i kësaj Konference e cila mbahet nën përkujdesjen e ICMP-së për ne familiarët e goditur të Kosovës si dhe për aktivistët e asociacioneve familjare të Kosovës që mirren me çështjen e të pagjeturve ishte dhe është temë joshëse, interesante aktuale dhe shumë e rëndësishme. Themi kështu nga se qëllimi dhe synimet tona themelore mbështeten në këtë moto.

Shumica apsolute e shoqatave kosovare që mirren me këtë çështje kanë bërë përpjekje të mëdha dhe sakrifica të shumta. Konsiderojmë se kemi arritur edhe rezultate në këtë drejtim nga se prej numrit të gjithëmbarshëm të njerëzve të evidentuar si të zhdukur në qershorin e vitit 1999 ( 5980) të evidentuar nga KNKK zyra në Prishtinë, në vitin 2001 kur u konstituua KKAFPK-ja, numri ishte përafërsisht ( 5236 ), ndërsa me kalimin e kohës dhe falë angazhimeve të përbashkëta të KKAFPK-së, KNKK-së, OMPF- it ( prej vitit 2002) si dhe angazhimit maksimal dhe profesional të ICMP-së shifra e të zhdukurve është zbritur në gadi 50%.

Ku është Mr.Ukshin Hoti?!

--------------------------

Në aspektin matematikor dhe politik, vërtetë këto shifra paraqesin suksese të konsiderueshme, por për familiarët shqiptar dhe për ne aktivistët e asociacioneve që mirremi me hulumtimin dhe zbardhjen e fatit të nerëzve tanë, të cilët u ndaluan padrejtësisht dhe u ndanë nga kolonat e njerëzve ishin dëbuar me dhunë prej shtëpive të tyre nga pushteti ushtarako - policor serb, i cili në këtë kohë i kishte shtuar jashtë çdo mase veprimet e dhunës kriminale ndaj popullatës së pa mbrojtur civile shqiptare të Kosovës. Ne, do ta quajmë të suksesshme punën tonë, vetëm atëherë kur ta zbulojmë dhe ta mësojmë të vërtetën për fatin e njeriut të fundit të evidentuar si i zhdukur në Kosovë.

          Gjatë punës tonë në terren kemi grumbulluar shumë të dhëna për mënyrën e marrjes peng të njerëzve tanë dhe atë në të shumtën e rasteve këto veprime jane bërë edhe prej fqinjëve tanë të deridjeshëm, prej të cilëve popullata ka pritur  ndihmë e asesi veprime të tilla, po po kemi shumë raste kur janë identifikuar njerzit e tillë në të cilët kemi llogaritur se do të na ofrojnë ndihmë e jo vdekje e zhdukje. Gjithashtu kemi gjetur edhe shumë të dhëna dhe dokumente për veprimet e organizuara dhe të planifikuara nga vetë pushteti serb, i cili të gjitha veprimet kriminale i ka bërë me plan dhe komandë policore dhe ushtarake. Këtë mund ta dëshmojmë edhe me ketë rast, me një pjesë të dokumentacionit që posedojmë dhe i cili mund të shiqohet. Duke u mbështetur në këto të dhënane vazhdimisht kemi thënë dhe themi se qelsi i zgjidhjes së kësaj qështje dhe të gjitha informatat qe lidhen me keto veprime janë në Beograd, në dosjet ushtarako policore, të cilat pushteti post Milosheviqjan po i ruan me fanatizëm edhe përkundër faktit të ditur se veprimet e mshehjes së krimit, janë veprime të cilat barazohen me krimin.

Kur gjithë kësaj ia shtojmë edhe të dhënën se pushtetin apsolut dhe kontrollin në Kosovë deri më 10 qershor 1999 e kishte Beogradi, ndërsa pas kësaj date kontrollin dhe pushtetin e kishin forcat ndërkombëtare nën komanden e KFOR- it, përkatësisht të administratës civile të quajtur UNMIK. Shqiptarët përkatësisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishte kontrollin vetëm në një pjesë të vendit dhe atë të popullzuar vetëm me shqiptar dhe ajo kishte vetëm një synim ta mbroj popullatën civile dhe ta çliroj vendin. Nga kjo që u tha deri me tani del se e vërteta për njerzit e zhdukur në Kosovë është e njohur dhe e çart, dhe se mbetet vetëm të vendoset për mënyrën se si ti çasemi kësaj  qështjeje.

          Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që të bëhet trysni dhe presion ndaj pushtetit aktual serb të Beogradit. Për këtë, ne si KKAFPK kemi ngritur edhe kallzim penal, për të cilin nuk kemi njohuri se deri ku ka arritur procedura e  zbatimit të ligjëshmërisë. Me këtë rast kërkojmë përgjigje nga përfaqësuesi i departamentit të drejtësisë, përkatësisht nga përfaqësuesi i Prokurorisë ndërkombëtare dhe i Prokurorisë së Kosovës.

          Në vijim të kësaj fjale, ne familiarët shqiptar, do ta shfrytëzojm rastin dhe prezencën e përfaqësuesve të familjarëve serbë, qytetarë të Kosovës të goditur që të  pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe t´i bashkangjiten kërkersës tonë të drejt që edhe ata të ushtrojnë presion ndaj pushtetarëve serb të Beogradit, të cilët poqese duan, mund të urdhërojnë hapjen e dosjeve të krimit ku mshifet e vërteta për njerzit e evidentuar si të zhdukur, qofshin ata shqiptar apo të tjerë. Kjo sipas mendimit tonë është mënyra e vetme për të tejkaluar gjendjen e rëndë të ankthit dhe të dhëmbjes tek kjo pjesë e qytetarëve të Kosovës.

          Numri aktual i njerëzve të evidentuar si të zhduker në Kosovë është 2082 njerëz të të gjitha nacionaliteteve ku mbi 90 % janë shqiptarë.   

          Gjithashtu konsiderojmë se është koha e fundit kur kompetentët qofshin ata ndërkombëtar apo vendor të ndërmarrin masa me të cilat rrjedhat do ta ndryshojnë kahjen dhe fati i më të dashurve tanë të ndiqohet dhe atë për:

          Ata që përbëjnë grupin e atyre që e kanë mbijetuar ferrin e luftes, për të cilët mendojmë se ende mbahen peng -  të gjallë për interesa,  për ne deri më tash të panjohura, nga grupe apo individ të lidhur me pushtetin serb. Këta njerëz të lirohen sa më pare dhe tu kthehen familjeve të tyre.

          Ndërsa për pjesën tjetër që fatëkeqsisht përbëjnë shumicën e  të evidentuarve si të pagjetur e që mendojmë se janë të vrarë e të masakruar, por që eshtrat e tyre vazhdojnë të mbahen peng për interesa dhe qëllime për ne gjithashtu të panjohura deri me tash nga pushtetarët e djeshëm e të sotëm serb, kërkojmë që t´u kthehen familiarëve sa më parë. Po e përsërisim se fshehja e krimit është e barabartë me krimin, për të mos thënë se në momente të caktuara është veprim edhe më i rëndë se krimi.

           Grupin e tretë të të pagjeturve e përbëjnë ata njerëz për të cilët familiarët nuk kanë ende asnjë informatë. Kjo kategori e familiarëve është në gjëndjen më të rëndë dhe sidomos këtë gjendje e rëndojnë edhe lajmet e ndryshme, të cilat vinë nga Serbia e sipas të cilave një numër i madh i trupave të shqiptarëve janë të djegur nëpër furrlarta të ndryshme. Informimin e drejt për fatin e këtyre njerëzve e kërkojmë gjithashtu prej autoriteteve serbe të Beogradit dhe prej të gjithë atyre që kanë marrë obligime ta zgjidhin këtë çeshtje.

          Me shpresë se nga kjo konferencë do të nxerrim përfundime të drejta parimore dhe të rendësishme me të cilat do ta ndihmojmë zgjidhjen e kësaj çështje të rënd por shumë të rëndësishme, për rrjedhat e mëtutejshme të zhvillimeve të drejta  shoqërore e demokratike, organizatorit të kesaj konference i dëshirojmë punë të mbarë dhe rezultate konkrete.

 

Ohër   16.05.2007                  Haki Kasumi- kryetar i KKAFPK-së  

P.S. Referati i Kryetarit të KKAFPK-s   Tel. kont. 044 / 181 - 260

Kthehu ne fillim

 

----------------------------------

  Kërkojmë të pagjeturit

SERBIA GJATË LUFTËS AUTOR I KRIMEVE – SOT REZERVAT I KRIMINELËVE

Përgatiti: Sheradin BERISHA

Më 28 dhjetor 2006

___________________


Me 31 dhjetor 2004, organizata "Thirrjet e Nënave" së bashku me aktivistët e Rrjetit të Aksionit për Kosovën -KAN(sot Lëvizja VETVENDOSJE“) kanë vendosur 235 fotografi të të pagjeturve nga Kosova në grilat e Kuvendit të Kosovës, ndërsa me 16 mars 2005u vendosën edhe 37 fotografi të tjera.

Sot Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Pagjeturve të Kosovës (KKAFPK), në një takim pune akuzoi Qeverinë e Kosovës, për neglizhencën e saj gjatë këtij viti, rreth zbardhjes së fatit edhe të 2.202 të të pagjeturve në Kosovë. Të indinjuar nga kjo papërgjegjësi totale e institucioneve, pikërisht më 31 dhjetor 2006 (të dielën) familjarët e të pagjeturve, kanë paralajmëruar protestë.

Duke u solidarizuar me Asociacionin e familjarëve të të pagjeturve, në vijim sjell qindra fotografi të bijëve dhe bijave tona të pagjetur, që janë vendosur në grilat e Kuvendit të Kosovës, si dhe dy protesta të familjarëve që kërkojnë zbardhjen e fatit të djemëve dhe burrave të tyre. Gjatë luftës Serbia ishte autor i krimeve, ndërsa sot ajo është bërë rezervat dhe mbrojtës i kriminelëve.

TË GJITHËVE NA MUNGOJNË

KTHENI DJEMTË TANË

KU ËSHTË BABI IM

 

&

Rrobat e shqiptarëve të gjetura nëpër varrezat masive në Serbi

   



Kthehu ne fillim

 

 

 

powered by Beepworld