Flet Fehmi Berisha veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
 
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE KULMOI ME USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
 
Të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që kishin ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe një vizion për të ardhmen e popullit të vet, u desh të sakrifikonin shumë nga jeta për realizimin e idealit të tyre. Njëri nga ta që pati fatin e tillë dhe që herët u nis në rrugën përplot peripeci e sakrifica, duke mos kursyer asgjë nga vetja në shërbim të popullit të vet, është edhe Fehmi Berisha nga Besiana (ish-Podujeva). Fehmiu me shokë e shoqe është organizatori i demonstrat- ave të mëdha të vitit 1981 në Podujevë me rrethinë dhe njëri nga koordinatorët e demonstratave përgjithësisht të atij viti. Përpos organizator i demonstrat -ave të 81'tës, ai njihet edhe për veprimtari të shumanshme patriotike, me shumë vite në burgjet famëkeqe serbo-sllave, por gjithmonë i palëkundur dhe i pathyeshëm në qëndrimet e tij. Megjithatë, ai asnjëherë nuk deshi të fliste për veprën e vet, duke thënë se kemi ende për të bërë e se ka kohë për të folur. Por, tani që në Kosovë nuk udhëheq Serbija dhe Udba, nuk vlejnë më arsyetimet e modestia dhe e bindëm se ishte në interesin e historisë dhe të brezave të ardhshëm të na e jepte me ca fjalë një pjesë të historisë nga jeta e tij e vrullshme, me përqendrim në vitin e madh 1981.
 
Kush është Fehmi Berisha?
 
Organizatori i demonstratave të vitit 1981 në Llap, i burgosur politik i dënuar më 15 vjet burg të rëndë Serbie, kur thërriste zëri i Atdheut ushtar i UÇK-së, profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe… E vizitova këto ditë Fehmiun në banesën e tij në Cyrih të Zvicrës. Me qëllimin  e vetëm: ta bindi të flasë, sepse mjaft më ka heshtur për veprimtarinë e tij atdhedashëse dhe vetësakrifikimin për çështjen kombëtare. Shumë herë më ka thënë se nuk do të dalë në opinion për dy arsye: sepse nuk ka dashur t’ i jepte UDB-së famëkeqe emrat e atdhetarëve të dëshmuar dhe, dy, i është dukur jo modesti të flasë për vete. Këtë herë duhet të flasësh, i thashë. Arsyeja e parë për të heshtur nuk qëndron më, ndërkaq modestia e të gjithë atdhedash-ësve të dëshmuar duhet të kthehet në krenari kombëtare. Madje, përkushtimi juaj për çështjen kombëtare duhet të bëhet i njohur, duhet t’i mbetet historisë, pasuri e çmueshme për brezat e ardhshëm.
Fehmi Berisha: Është e vërtetë se prej daljes nga burgu, fundi i shtatorit 1990, më janë ofruar shumë gazetarë, që t’u jap intervistë për veprimtarinë time të gjithëmbarshme dhe të bashkëpunëtorëve të mi për heqjen qafe të robërisë shumëshekullore. Mirëpo, unë asnjëherë nuk kam pranuar të flas.Arsyet janë ato që theksova në fillim të kësaj bisede. Tani që e përmende vitin 1981, mendoj se me të drejtë e quajte viti i madh. Demonstratat gjithëpopullore të atij viti duhet të ndriçohen nga të gjitha aspektet. Duhet bërë këtë, sepse edhe tash, po e shoh, disa po mundohen që ato t`i shtrembërojnë, disa të tjerë t`i përvetësojnë, e disa të tjerë si njëekterfytyrëshi Azem Vllasi, t`i lënë edhe pa organizatorë ose, edhe më keq, që organizimin e tyre t`ia mveshin UDB-s ose KGB-s. Dhe logjikisht, nëse i paska pas organizuar UDBA, atëherë po del që organizatori kryesor qenka vetë Azem Vllasi me shokët e vetë, pasi që UDB’a ka vepruar nënë urdhrat dhe këshillat e Komitetit Krahinor, pra ka qenë nënë vartësinë e tyre.
 
Pyetje: I nderuari Fehmi, për ata që nuk ju njohin, është mirë të na thoni shkurtimisht jetëshkrimin tuaj…
F.Berisha: Jam i lindur në katundin Dyz të bashkisë së Besianës. Meqë babai im Idrizi punonte në qytezë, më 1959 u zhvendosëm nga Dyzi në Besianë. Aty mbarova shkollën fillore dhe të mesmen - gjimnazin, ndërsa studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe i mbarova në Universitetin e Prishtinës. Jam i martuar me Mejreme Krasniqin nga Radosta e Rahovecit. Kemi dy fëmijë: Kastriotin (14) dhe Kreshnikun (13). Për shkak se ende
nuk kam arritur të siguroj shtëpi-banesë në atdhe, edhe ndonjë kohë detyrohemi të qëndrojmë në kurbet.
 
Pyetje: Duke kujtuar veprën tuaj, del i bashkuar, mrekullueshëm, fati personal me fatin kolektiv të popullit shqiptar. Cilat ideale ju nxitën të veproni në këtë bashkecje individ - popull?
F.Berisha: Çdo njëri që dëshiron të dijë më shumë për fatin e vet, duhet të dijë më shumë për fatin e shtetit të vet, pra ky është një binom i pandashëm për shekullin në të cilin jetojmë; është proces përcaktues i fatit të përgjithsh -ëm, ku bën pjesë edhe ti si fat individual. Unë nuk cytesha nga fati individual, por nga ai i përgjithshmi yni, i ne të shumëvuajturve, që fatin na e përcaktonin të tjerët. Pra, fashizmi u mund në Luftën e Dytë Botërore, por ai, fatkeqësisht, nuk u zhduk. Ai jetoi në disa vende të botës, ndër to edhe në vendburgun e popujve, në Jugosllavi, kështu që sëpata e Demokleut gjithnjë qëndronte mbi kokat tona. Ndëshkimi i të fortit ndaj nesh, gjakimi për të kontestuar,sepse jashtë kufijve të Shqipërisë jetonte më shumë se gjysma e kombit shqiptar, që dhunohej nga e drejta për të VETËVENDOSUR dhe për të qenë i lirë...
 
Pyetje: Lufta e popullit shqiptar për liri nuk ka pushuar kurrë, posaçërisht që prej Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kur u sakatosën për herë të parë trojet shqiptare. Përse ky fat?
F.Berisha: Fatkeqësisht është ashtu. Shkaqet e kësaj, në radhë të parë, unë i shoh në shtrirjen gjeostrategjike të vendit tonë: Trekëndëshi Prishtinë - Bujanoc - Shkup, kryqëzimi i akseve rrugore e hekurudhore, hapsira ajrore e krijuar nga vetë natyra si rrafshnaltë Kosova bënë të mundshëm vështrimin - kontrollin mbi të gjitha lëvizjet tokësore, ujore, ajrore në të gjitha ngushticat Europiane e botërore. Ne nëpër shekuj kemi luftuar kundër armiqve të egër e barbarë, gjithmonë më të shumtë në numër, por me sakrificat dhe flijimet tona e me gjakun tonë kemi mbrojtur identitetin tonë kombëtar, kemi mbrojtur kulturën tonë, zakonet tona, gjuhen tonë. Dhe, duke i ruajtur këto vlera,neve nuk mundën të na asimilojnë as edhe perandori- të më të mëdha, siç ishin ajo Romake, Bizantine, Turke, dhe as kjo e fundit Ruso - Jugosllave. Mirëpo, pushtimet barbare që nga ato romake e deri te këto sllave na dëmtuan shumë në rritje (natalitet), arsimim e përparim, shumë shqiptarë dhunshëm u detyruan t`i lëshonin trojet e stërgjyshërve dhe të shpërngulen në Turqi(pesë milion) e më tej dhe bënë që ne të jetojmë me terrin dhe egërsinë. Megjithëkëtë, ne kishim shpirt të patrembur dhe qëndronim ballëlartë, sepse ”edhe pse nëntë plagë në trup i kishte Gjergj Elez Alia, u ngrit dhe i doli bajlozit në mejdan”. Kalorësi i krishterimit, Gjergj Kastrioti, me murin shqiptar mbronte vlerat euro-perëndimore nga terri aziatik dhe për këtë “shpërblehej” vetëm me bekime apostolike të papëve hipokritë e djallëzorë. Edhe Lidhja e Prizrenit, Lufta antifashiste, si dhe lufta e UÇK-së nuk u kurorëzuan me bashkimin e natyrshëm të trojeve shqiptare. Kjo nuk ndodhi ,sepse edhe më tutje shumica e shteteve evropiane, për shkak të interesave të tyre, nuk duan që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë të drejtë. Kësaj duhet shtuar edhe përçarjet dhe kundërthëniet brenda
vetë nesh, të cilat dhëmbin, trondisin, sidomos ato politike, sepse kanë shtrirje të gjerë, prekin atje ku dhemb shumë, prekin shtresën e urtë dhe të pafajshme,atë që është gjithherë e gatshme për sakrifica dhe e cila me forcën e shtetit mat gjithçka personale. Këso çarje e përçarje fatkeqësisht patëm në të gjitha fazat e rëndësishme historike dhe vendimtare, të cilat pa dyshim çuan ujë në mullirin e ujqërve që na rrethonin, në veçanti të Greqisë dhe Jugosllavisë.
 
Pyetje: Në vazhdim, është me interes të na tregoni kur janë shfaqur për herë të parë në shpirtin tuaj shenjat e atdhetarizmit?
F.Berisha: Babai im, Idriz Berisha-Dyzi, u ka takuar radhëve të para të N.D.SH-së në Llap, ishte njëri ndër 17 themeluesit e NDSH’së në nahinë e Llapit. Në shtëpinë tonë vinin shumë mysafirë, që në këtë rast do të veçoja: Ajet Ruhani-Dyzi, Mulla Ramë Govori, Ramadan Ajvazi-Perani, Emin Maloku, Nazmi Sejdiu, Sabit Zejnullahu, Bejtush Gjata, Zeqir e Xhemail Lala, ky i fundit më së tepërmi më mbolli dashurinë për Enver Hoxhën, mysafirë këta, të cilët për tema bisedash zakonisht kishin atdheun-trojet shqiptare me të gjitha peripecitë që e përcillnin çështjen tonë, si dhe punën dhe veprimtarinë e ideologut dhe arkitektit të Lëvizjes ilegale në Kosovë, Adem Demaçit. Atëherë, si i ri, bisedat dhe rrëfimet e tyre në mua binin si shiu në lulet kur bën vapë.
 
Pyetje: Si u reflektuan në moshën tuaj djaloshare demonstratat e vitit 1968?
F.Berisha: “Si poezitë, që ushqehen nëpër histori dhe vijnë e u flasin zemrave tona”. Shpërthimi i atij vrulli, i mbledhur prej vitesh, në mënyrë aq madhështore, te unë la mbresë të pashlyeshme. Arrestimi dhe dënimi i bartësve të atyre demonstratave neve nuk na frikësuan, përkundrazi, na nxitën për të vepruar,sepse ato biseda që shumë herë i kisha dëgjuar nga babai dhe shokët e tij,erdhën e u përplotësuan për mrekulli. Isha nxënës i klasës së tetë të shkollës fillore ”Gjuro Gjakoviç”. Aty merrnim mësime rreth 800-1000 nxënës, përafërsisht mbi 80% ishim shqiptarë. Duhej të zgjidhnim Kryesinë e Rinisë së shkollës. Edhe pse votimi ishte për kandidatin shqiptar, çfarë bëri drejtori i shkollës nuk e morëm vesh, por kryetare na e emëruan njëfarë Sllavica Pantiq (shumë e bukur).Me këtë ne shqiptarët u revoltuam. Me shokun tim të klasës, Nebih Selmanin, i cili njëherësh ishte edhe nxënësi më i mirë i shkollës, me klasat e shtata dhe teta organizuam bojkoti- min e mësimit dhe për një javë nuk hymë në mësim. Këndonim rreth shkollës. Për këtë organet e shkollës dhe kryetari i Lidhjes së Rinisë të Podujevës, mua dhe Nebihun na dërguan në Komitetin Komunal, ku na pritën alamet njerëz të mëdhenj; sekretari i Komitetit dhe kryetar i Komunës dhe disa serbë, të cilëve nuk ua mbaj mend emrat dhe nuk ua dija postet. Për më se tri orë ndaj nesh bënë presion goxha të madh me kërcënime, fyerje e sharje për të zbuluar kush na kishte shti, kush ”fshihej” pas nesh. Më së shumti silleshin rreth arsimtarit Hazir Raçi, i cili ishte shumë i afërt dhe i dashur me ne nxënësit, e i cili për herë të parë kishte themeluar grupet e punës teknike me nxënës. Çdo ditë pas orarit të mësimit i mbushnim kabinetet, që më parë nuk e kishim ditur çka janë,dhe punonim gjëra të ndryshme nga druri, punonim fotografi të ndryshme,dëgjonim muzikë të zgjedhur shqiptare; njëherë së bashku me arsimtarin nxorëm-punuam 100 fotografi të Enver Hoxhës. Me një rast në kabinet hyri arsimtari serb Gvozden Gruiq, i cili një foto të Enverit e mori në dorë dhe e shikoi, pastaj pyeti: -Kush është ky, koleg? -Është një dajë imi, i cili jeton në Amerikë dhe po ua punoj nga një foto të afërmve-u përgjigj arsimtari Hazir. Me kaq u mbyll ky incident jo edhe i parrezik. Hetimet e udhëheqësve më të lartë të komunës sonë mbetën pa rezultat.
 
Pyetje: Amendamentet kushtetuese të vitit 1968 dhe Kushtetuta që i pasoi ato propagandonin me të madhe barabarësinë midis kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Pikërisht ju në këtë kohë me disa shokë nisët angazhimin praktik atdhedashës. Cilat ishin ato forma veprimi, me të cilat ju synonit prishjen e “vëllazërim-bashkimit”, të atij shteti krejtësisht të huaj për shqiptarët?
F.Berisha: “Nevoja për balancimin e forcave të brendshme të Federatës Jugosllave çoi në njëfarë rishikimi formal të statusit të Kosovës, e cila nga krahinë e thjeshtë e Serbisë u emërua Krahinë autonome e saj” - Enver Hoxha. Të ua shtimë në këpucë nga 2-3 guralec të vegjël dhe të mos mund të ecin rehat thosht babai im Idrizi,sepse për ti rrokur armët ende nuk janë pjekur kushtet. Pas Plenumit të Brioneve, popullit shqiptar të Kosovës i ishin krijuar disa favore, siç thoshte i madhi Enver Hoxha: Ajo çka iu dha shqiptarëve në viset e tyre në Jugosllavi, ishte një gjë shumë e vogël në krahasim me të drejtat që ua kishin marrë. Pra, me amendamentet e 68`ës paksa na u dha mundësia të arsimoheshim. Bëmë Universitetin e Prishtinës, Institutin Albanologjik, atë të Historisë, mësuam historinë kombëtare, zhvilluam kulturën, krijuam kontakte kulturore me Shqipërinë, mirëpo vazhduam të ripeshim ekonomikisht nga Federata Jugosllave e në veçanti nga Serbia. Merreshin gjithë ato pasuri nga Kosova; Trepça për një muaj jipte Një (1) ton Ar, shtatëdhjetekatërmijë (74 mi) ton plumb, katrdhjetedymi (42 mi) ton zink e shumë e shumë minerale të tjera, dhe ne ishim lypsarë të kafshatës së bukës, ishim sharraxhinj nëpër familjet e shkieve në Beograd e Novi-Sad. Kanalet e Serbisë ishin përplot me lopata e kazma në duart e plisbardhëve. Pra, edhe pse depërtuan një numër i konsiderueshëm kuadrosh shqiptare të punësoheshin në administratë dhe vende udhëheqëse të Kosovës etj,etj, të gjitha këto ishin vetëm”shminka”, shumë pak në krahasim me ato që duhej bërë, që Kosova të ishte vërtet e barabartë me republikat tjera. Kjo mosbarazi e madhe si koncept shprehej në fushën politike, juridike dhe ekonomike, e që pasojat e saj po i heqim edhe sot, gjë që shihet në çdo pëllëmbë të Kosovës. Këtë që e thashë do ta ilustroj me një rast konkret, që aso kohe në atë moshë që kisha më brengoste. Në vitin 1973 isha nxënës i klasës së tretë të gjimnazit. Nga të gjitha lëndët që i mësonim, në pesë prej tyre: biologji, anglisht, frengjisht, muzikë, ç`absurd, dhe serbishten, për hir të “vëllazërim - bashkimit” dhe për qejfin dhe interesat karrieriste të udhëheqësve komunal,ne nxënësit, nga të cilët 90% nuk dinin serbisht, ishim të detyruar që për ato lëndë mësimet t’i merrnim në gjuhën serbe! Kjo vazhdoi edhe në vitin shkollor 1974/75. Këtë vit, ne një grup shokësh, entuziastë të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës, themeluam një grup ilegal, të cilin e emëruam: GRUPI REVULUCIONAR PËR BASHKIM KOMBËTAR. Tubimi qe mbajtur në shtëpinë time. Të pranishëm ishim: Ramadan Dibrani, student i elektro-teknikes, Jetullah Islami, student i historisë, Mustafë Abdyli e Fehmi Berisha, maturantë të gjimnazit dhe Arsim Sejdiu nxënës i shkollës së mesme teknike nga Prishtina. Tubimin e udhëhoqi Ramadan Dibrani i kthyer nga Shqipëria, ku kishte ikur ilegalisht, të cilin edhe e zgjodhëm kryetar. Nuk kishim statut. Arsimi u zotua që përmes babait të tij, Nazmi Sejdiut, i cili ishte veprimtar i radhëve të Adem Demaçit, do të siguronte disi Statutin e L.R.B.SH-së. Nuk kishim anëtarësim të rregullt. Vendosëm të gjendeshim si të mundeshim Para flamurit dhe fotografive të shokut Enver Hoxh dhe shokut Adem Demaçi bëmë betimin se do të veprojmë aq sa mundemi dhe aq sa dimë drejt bashkimit të trojeve shqiptare dhe se nuk do ndalemi deri në realizimin e qëllimit. Fikrije Hasani - punëtore e Elektro - Kosovës nuk ishte e pranishme, u pranua anëtare e këtij grupi, e që duhej të betohej në njërin nga takimet e radhës. Detyra e parë për çdonjërin prej nesh ishte: të gjejë literaturë ilegale; libra me përmbajtje kombëtare; të incizoheshin këngë patriotike dhe fjalime të udhëheqësve të Shqipërisë, nga radio Tirana dhe ato të shpërndaheshin dorë pas dore. Ato vite me të madhe dëgjohej Radio Tirana. Në këtë vit shkrova Trakt - thirrjen “DERI KUR NË ROBËRI”, të cilin në 100 kopje e daktilografoi Fikrije Hasani, dhe një mëngjes, para se të fillonte mësimi, unë dhe Mustafë Abdyli këtë trakt - thirrje e shpërndamë nëpër banga të klasave të treta, të cilat vazhdonin që biologjinë, anglishten, frëngjishten dhe muzikën t`i dëgjonin në serbishte. Me anë të këtij trakti, pos tjerash, ne i ftonim nxënësit që ta bojkotonin mësimin derisa të zëvendësoheshin arsimtarët(et) serbë nga ata shqiptarë. Thirrjes nxënësit iu përgjigjen masivisht. Ky trakt në fund mban shifren: FX-ZH11. Komiteti dhe UDB-a u çartën. U mbush gjimnazi me ta. Arrestuan disa nxënës dhe disa punëtorë. Profesori i gj.shqipe Nazif Lepaja, i cili e dinte kush e ka shpërndarë traktin, na informonte se si po debatohej ajo vepër “armiqësore” në drejtori. Të arrestuarit, në mungesë faktesh, u liruan pas 3-15 ditësh. Dy-tre vjet më vonë kam mësuar se derisa unë dhe Mustafa e kishim shpërndarë traktin, kishim qenë të vërejtur nga kuriri i shkollës Hamdi Restelica, i cili edhe pse qe kërcënuar me burgosje dhe përjashtim nga puna, nuk na kishte denoncuar para hetuesve të UDB-së. Ruaj një respekt të madh për të. Ai qe treguar burrë i vërtetë, sepse ne nuk e dinim se ishim vërejtur nga ai.
 
Pyetje: Në këtë kohë u dënua në mënyrë drakonike Adem Demaçi dhe grupi prej 33 veprimtarësh atdhedashës. Çfarë faqeje të zezë të këtij shteti shpaloste ky proces i montuar politik?
F.Berisha: Jugosllavia me sistemin e saj qe një simbol universal i dhunës dhe tiranisë, kjo në Kosovë ndjehej edhe më shumë. Procesi i këtij rasti është edhe një dëshmi më shumë. Shoqëria juridike e këtij shteti, hajnin, kriminelin, rrenacakun, dhunuesin e matrapazin, hipokritin e servilin do t`i duronte dhe do të jetonte me ta, ndërsa individin i cili nuk i kishte ato veti të shëmtuara, por që kërkon ndryshimin e thelbit dhe të mënyrës së qeverisjes, si Adem Demaçi, dënohet rëndë. Ademi s`kishte as ca muaj që kishte dalë nga burgu i dënimit të dytë, pra ende pa iu çmpirë këmbët, se le më të fillojë veprimtarinë politike, Komiteti Krahinuer dhe këlyshët e tij, UDBA, e arrestuan dhe e dënuan me 15 vjet burg. E dënuan, jo se kishin fakte, por nga frika. Vetë prezenca e Demaçit jashtë grilave ua fuste frikën, sepse baca Adem tashmë ishte bërë simbol i rezistencës dhe ideolog i lëvizjes për Bashkim Kombëtar. Ademi për sistemin jugosllav,sa ishte i rrezikshëm jashtë grilave, aq ishte edhe brenda tyre, sepse siç thashë, ishte simbol për atdhetarët, në veçanti për rininë shqiptare, ishte mobilizues. Pra, Ademi jashtë organizonte, Ademi brenda mobilizonte. Kjo ndodhi edhe për shkakun se Tito kaloi nëpër Kosovë dhe ndër të tjera tha: ”Në vendet tjera në Jugosllavi po luftohet nacionalizmi (atë vit qe dënuar Vllada Dapçeviqi me një grup shokësh - bashkëmendimtarësh të tij). Mjaftoi kjo, dhe mjeranët e Komitetit Krahinor bashkë me këlyshët e tyre UDB-istët të hidheshin në aksion, sepse duhej dëshmuar besnikërinë ndaj padronit të Beogradit. Viktima ishte gati, kush tjetër pos heretikut Adem Demaçi. Vullneti i tyre ishte vetë ligji, si në kohën e Car Dushanit. Kjo burgosje jugosllavëve dhe mjeranëve të Kosovës nuk u dha rezultate, përkundrazi masat e gjëra popullore dhe në veçanti rinia studentore e shkollore u zemëruan fort. Kjo rini liridashëse shtrëngoi radhët edhe më shumë, u bë më e zgjuar, lëvizi, filloi të vetëdijesohej e të organizohej nëpër celula e grupe.
 
Pyetje: Natyrisht, lidhjet mes atdhetarëve, brezash të ndryshëm, kanë qenë të pashkëputshme. Me kë shoqëroheshit ju në këtë kohë?
F.Berisha: ”Këta të cilët nuk janë të zhytur thellë në sistem,pra që nuk janë të lidhur fortë me hyqëm, por janë as anej as kënej,t`i tërheqim pakë,të ua nimojmë të rreshtohen me ne”- thoshte Xhela. Përpos shokëve të grupit, shoqërohesha me Shaip Beqirin, Mehmet Breznicen,Ahmet e Mehmet Gërgurin, Xhemail Hoxhën, Nebih Selmanin, Skender Hysenin, Agim Shehollin, Avdullah e Agim Blakçorin, Sadri Islamin-Dyzin,Hysen Poteren, Shahin Sfishten, Rushit Malokun, Muhamet Kutleshin e ndonjë tjetër, që për momentin nuk më kujtohen. Në këtë kohë përmes shokut tim Ramadan Dibrani dhe profesorit të nderuar Hazir Raçi u njoha me të dënuarit politikë - udhëheqësit e demonstratave të 1968-tës; Xheladin Rekaliun, Hakif Shehollin, Fahri Raqin, Sabit Sylen ,Hamit Abdullahun, Skënder Kastratin e Osman Dumoshin, shokë të cilët pas daljes nga burgjet, mbanin në vazhdimësi qëndrim të dinjitetshëm dhe pozitiv ndaj përsosjes, duke ruajtur në vazhdimësi virtytet e njeriut me karakter. Pra, edhe përkundër asaj që veprimtaria ilegale ka specifikat e veta dhe ka një gjuhë speciale ,grupi ynë u shoqëruam fort me ta. Shumë ngushtë i lidhur isha edhe me veteranët e lëvizjes, Ahmet Haxhiun, të cilin e kisha edhe kushëri nga nëna, dhe Azem Beqirin. Në këtë kohë përmes Ramadan Dibranit u njoha edhe me aktorin Avdush Hasani. Avdushi ishte një djalë i sinqertë dhe shok i mirë. Ai i donte fortë shokët bashkmendimtarët, në veçanti kishte respekt për Xhelen. Në një rast në njërën nga kafenetë e Kërpimehut, Dushi dhe Dani kishin ngritur dolli për festën e Flamurit. Mirëpo aty në mur, e varur ishte fotografia e Titos dhe E kishin marrë nga muri, vendosur në dysheme kokëposhtë dhe herë pas here e kishin “qerasur” me ndonjë kikirik ose gotë të zbrazur. Policia e Kërpimehut pasi ua kishte tërhequr vërejtjen ca herë dhe ata s’ kishin dëgjuar që të disciplinoheshin, i kishte arrestuar. Mirëpo, Avdushi si aktor ishte i dashur edhe për një numër policësh shqiptarë, kështu që pas ca orësh i kishin liruar. Pra rrinim me ta, sepse ata për ne ishin idol, i çmonim e respektonim fort, por edhe pse në atë kohë jo shumë veta guxonin të rrinin e shoqëroheshin me ta, sepse ata ishin “me shenjë”.
 
Pyetje: Në vitet `78/79 puna juaj atdhetare u shtua shumë. Çka vepronit në këtë kohë?
F.Berisha: Nuk do t’i përfillim muret dhe gardhiqet. Vetë do i këpusim prangat dhe do e heqim konopin nga fyti. Duhet të ecim shpejt e guximshëm për të arritur kohën në të cilën jemi shumë të vonuar, thoshte studenti i shkëlqyeshëm i mjekësisë, Kastriot Haxhirexha nga Dibra, i cili kishte ngritje të lartë politike e kulturore, por kishte edhe dhunti të mëdha organizative e vepruese. Kastrioti udhëhiqte grupin ilegal të Dibrës, të cilit i përkisnin edhe Bashkim Mashkulli, student i letërsisë, Petrit Bomova, student i letërsisë Qazim Qorrmemeti, student i ekonomisë dhe Muharrem Dovolani, student i gjeografisë,e ndoshta edhe ndonjë tjetër për tër cilën-in unë nuk kam njohuri. Fushëveprimi i tyre ishin viset shqiptare në Maqedoni dhe Prishtina, në veçanti konviktet e studentëve. Ky grup ka qenë shumë konspirativ dhe shumë-shumë i furnizuar me libra e materiale të tjera propagandistike. Pasi u njohëm mirë, në banesën e tyre në Kodër të Diellit, grupet: të Podujevës dhe të Dibrës, pothuajse i fuzionuam dhe vepruam si një grup. Falë Kastriotit, i cili kishte krijuar lidhje edhe me kreun e shtetit shqiptar, edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, shokun Sokrat Plaka, edhe me veprimtarin Jusuf Gërvalla, por edhe me shumë profesorë të Shqipërisë, të cilët ligjëronin në Universitetin e Prishtinës, e poashtu edhe me artist të Ansamblit Kombëtar dhe të cilët nuk ktheheshin në Shqipëri pa e takuar dhe pa i dhënë ndonjë libër zakonisht të shokut Enver Hoxha. Kjo pra bëri që grupi ynë tani të bëhej më i mirëfilltë dhe më i angazhuar në rrënimin e Jugosllavisë.
 
Pyetje: Sa ka qenë femra e angazhuar dhe a ka pasur femra në grupin tuaj?
F.Berisha: Fillimisht anëtare e grupit tonë në Podujevë ishte Fikrie Hasani ,tani punëtore në Institutin Albanologjik. Në vitin 1979, gjatë punës e njohëm studenten e vyer të artit figurativ, Fatmire Rashiti-(mbesë e Hamit Abdullahut), e cila asokohe përpos ca librave, grupit i solli edhe dy kaseta të incizuara me fjalime të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, por edhe disa nga poezitë e Adem Istrefit. Më 1979 Fatmirja bëhet anëtare e grupit. Po këtë vit, në grup pranohet edhe Fëllënza Lala. Derisa në shoqëri të shokëve nga Dibra kanë qenë disa studente të vyera dibrane. Vajza këto të cilat me zell shpërndanin materialet e grupit.
 
Pyetje: Shihet se rritej dukshëm numri i bashkëveprimtarëve tuaj. Me siguri mbamendja juaj nuk i ka harruar?
F.Berisha: Meqë shpenzimet e jetës shtoheshin, u punësova në NP ”Gërmia”, hapa një shitore, e cila na shërbente për mrekulli si mjet ndihmës financiar, vendtakim-depo, ku bashkëveprimtarët shpërndërronin 
libra e materiale tjera që i kishim asokohe. Shitore të cilën UDB-a më vonë do ta quajë Biblioteka e Irredentistëve. Aty vinte shpesh Fadil Lepaja, mprehtësia e mendimit të të cilit më pëlqente. Bisedonim gjer e gjatë për të gjitha ato që na preokuponin, e që ishte fati i popullit tonë në varrin e Serbisë. Fadili merrte ndonjë libër, gazetë apo kasetë dhe pasi t`i kishte lexuar i kthente. Kështu vazhdoi derisa e morën në shërbimin ushtarak. Pra, ishte ushtar kur shpërthyen demonstratat e vitit ‘81 me tërë madhështinë e tyre. I iku për një kohë arrestimit. Fadili me t`u kthyer nga ushtria e Jugosllavisë, me një zell të madh do të vazhdojë veprimtarinë atdhetare së bashku me Gjylë Krasniqin e Pajazit Jasharin, derisa UDB-a do t`i arrestojë dhe do i dënojë me vite të shumta burgu. Ndërkohë e kam njohur dhe jam shoqëruar edhe me arsimtarin Hasan Shala-vëllanë e heroit Kombëtar Shaban Shala, me të cilin kemi shkëmbyer literaturë ilegale. Hasani grupit tonë i ofroi planin famëkeq të Dr.Vasa Cubrilloviqit: “Iselevanje Arnauta u Masi sa Kosova” (Dëbimi i shqiptarëve në masë nga Kosova), material të cilin vëllai im Bahredini me shokët e tij Ruhan Kadriun, Hakif Zejnullahun dhe Nusret Berishën e patën shumëzuar në 170 ekzemplarë dhe shpërndarë nëpër konvikte të studentëve në Prishtinë, por edhe në Podujevë, kryesisht ndër njerëz të besueshëm. Në këtë periudhë kam njohur edhe veprimtarin Nazmi Gashin nga Dobërdoli, student i gjeografisë. Shpesh herë me shokë kemi qenë në odën e tyre, ku kemi shkëmbyer literaturë e diskutuar tema nga më të ndryshmet, gjithnjë të frymës kombëtare. Aty, pa pritesë dhe me kënaqësi të veçantë na priste i vëllai i Nazmiut, Latifi, të cilin do ta angazhonim për shpërndarje të literaturës, si libra, fletushka, kaseta, etj. ndër rininë e gjimnazit, ku ai ndiqte mësimet asokohe.Rasti mbret i botës thot Latifi; në Marsin e vitit `81 isha në shërbimin ushtarak,mirpo pikrisht kur shpërthyen demonstratat pata fatin të kem ca ditë pushim, dhe pikërisht ky rast do të më jap mundësinë dhe kënaqësin të merrja pjesë në demonstrata të asj pranvere. Nga veprimtari dhe njeriu më konspirativ që kam njohur ndonjëherë, arsimtari Shaban Sfishta, kam marrë diku rreth 60 ekzemplarë të revistës “Bashkimi”, të cilën asokohe e nxirrte në Gjermani Ibrahim Kelmendi. Po ashtu, në këtë periudhë kohore jam shoqëruar edhe me Hetem Ajetin nga Sveçla, me të cilin kemi shkëmbyer literaturë ilegale. Hetemi grupit i ka afruar “Statutin e Frontit të Kuq Popullor”, organ po ashtu i Ibrahim Kelmendit,si dhe librin Shota dhe Azem Galica. - Këtë revistë e nxjerr Jusuf Gërvalla, më tha ish-profesori im Nazif Lepaja, posa ia lëshoi një sy fletushkës të cilën ia dhash. Ku po e di, e pyeta. - Jam pak para teje, u përgjigj ai shkurt. Asgjë s`po mund fshehi nga ti, as atëherë kur isha maturant, as sot, as.... Ai më pa me dashuri dhe duke vënë gishtin tregues mbi gojën dhe cepin e hundës, nxori një shshshëëëët, më shtini krahun dhe shkuam në restorant Gërmia të merrnim nga një kafe. Material propagandistik, libra e revista, siç ishin: Lajmëtari i Lirisë, Liria, Bashkimi, u kemi dhënë shumë e shumë bashkëmendimtarëve; të gjithë shokëve-udhëheqës të demonstratave të `68-tës: Xheladin Rekaliut, Hakif Shehollit, Fahri Raçit, Hamit Abdullahut, Sabit Sylës, Sylejman Babatinces, pastaj prof. Muhamet Bllacës, Ahmet e Mehmet Gërgurit, prof. Ahmet Hotit, prof. Ejup Shalës, Agim Shehollit, Jahir Gashit, Nazmi Gashit, Ali e Hisen Poterës, Muhamet Kutleshit e shumë e shumë të tjerëve, që është e pamundur të përmenden të gjithë në këtë intervistë Bashkëpunim të veçantë kam pasur edhe me Avdyl, Hamdi e Abdullah Mustafën nga Gllamniku, po kështu edhe me Avdi, Sabit e Shefki Latifin - Monollët. Nuk do të ishte korrekte të mos përmend edhe të rinjtë, nxënës të Shkollës Teknike: Hakif Zejnullahun (Hero i Kombit) Remzi Mustafën (Xigun) Xhafer Berishen nga Drenofci dhe Bajram Lahun (vrarë nga UDBA), po ashtu nxënësit e gjimnazit Sami e Smail Berishen nga Dyzi, Ali e Remzie Shehollin, të cilët kanë shpërndërruar mes vete materialet tona. Këta të rinj në demonstrat e 1 e 2 Prillit `81 dhanë një kontribut të çmuar.Në këto angazhime duhet përmendur edhe shokët Mehdi Berisha, Halil Canolli, Milazim Alshiqi, Avdi Tërholli, Zeqir Berisha e Musa Prebreza, të cilët i udhëhiqte Arsim Sejdiu e të cilët ishin ngushtë të lidhur me ne. Ky grup shokësh shumë ekzemplar të gazetës Lajmëtari i Lirisë i shpërndan në Prishtinë, aty ku edhe jetonin. Të gjithë ishin aktiv në demonstrata të vazhduesh-me.
 
Pyetje: Më kujtohet fort mirë se diku në fund të vitit ’79 më keni pas dhënë, në shitoren tuaj, një ekzemplar të revistës “Lajmëtari i Lirisë”. Prej nga ato materiale?
F.Berisha: Kastrioti, nuk e di si, por ai që lidhur me Jusuf Gërvallën, kështu që revistën “Lajmëtari i Lirisë” në Podujevë e solli në qindra ekzemplarë. Këto, përpos 50 ekzemplarëve, të cilat në Tërnofc të Madh,me sugjerim të Nazmi Gashit,ia pata dërguar shokut të tij Ramadan Osmani, student i letërsisë, të tjerat u shpërndanë në Podujevë, Prishtinë, Gjilan e Vushtrri.
 
Pyetje: Mund të na i përmendni disa nga titujt e librave të cilët janë shpërndërruar nëpër lexues të interesuar?
F.Berisha: Po, disa më kujtohen: ”Gjarpijtë e gjakut” të Adem Demaçit, ”Shota dhe Azem Galica” Të Ajet Hagjiut, ”Hasan Prishtina dhe Lëvizja Patriotike e Kosovës”, Lahuta e Malësisë” të Fishtes, Poezitë e Adem Istrefit, ”Hrusho-vjanët” Enver Hoxha, ”Imperializmi dhe revolucioni” Enver Hoxha, ”PPSH Dokumente Kryesore”, ”Kosova djep i shqiptarizmit” nga Hamit Kokollari, “Dimri i Madh” i Kadaresë, Mic Sokolin e Sylejman Krasniqit, Poezitë e Agim Gjakovës ”Mërgata e Qyqeve” të Nasho Jorgaqit etj.
 
Pyetje: Këta libra dhe këto revista, me porosi të theksuar liridashëse, ç`mendoni, çfarë ndikimi kanë pasur në popullin shqiptar të ish Jugosllavisë?
F.Berisha: “Politika nuk mund të jetë kulturë, por kultura e përcakton atë” Në Jugosllavi ishte e kundërta. Qëllimi i politikës jugosllave, me të gjitha mjetet dhe në të gjitha fushat, e posaçërisht në kulturë, ishte që sa më fort të na lidhte për sllavët e jugut. Është e njohur thënia ”Një popull po deshe ta robërosh mirë dhe ta mbash gjithmonë të shtrirë për toke, rrënoja kulturën”. Muzika të cilën e transmetonte Radio e TV-Prishtina aso kohe ishte Xhixhele-Xhixhele, (u muar vesh përpos rapsodve të cilët këndonin odave), prandaj materialet të cilat i shpërndanim ne ilegalisht, kishin për qëllim që artin burimor sa më shumë ta fusnin në familjet shqiptare. Ishim thellë të bindur se librat dhe revistat e kasetat me përmbajtje të thellë historike e kombëtare kishin një forcë të madhe vepruese. Po ashtu edhe muzika e kultivuar e Shqipërisë, përveç tekstit me përmbajtje kombëtare,ajo të jipte emocion, ajo të frymëzonte për traditën kombëtare, ajo të nxiste për veprim. Pra të gjitha këto ndikuan fuqishëm në masën e popullit, në veçanti ndikuan në vetëdijesimin e rinisë në mënyrë që ata të shkëputeshin nga orientimi jugosllav dhe të ktheheshin e të faleshin drejt Mekës shqiptare Tiranës ,siç thoshte mulla Ramë Govori. Se sa ndikim pati kjo literaturë ilegale, më së miri u dëshmua në ngjarjet madhore të Pranverës `81. Pra, ishin pikërisht grupet e shumta ilegale në të gjitha trojet tona ato, të cilat me veprimtarinë e vazhdueshme bënë që pakënaqësinë e studentëve më 11 Mars, e cila kishte filluar në Mensën e Studentëve, kryesisht për shkaqe të kushteve të këqija dhe kundër burokracisë, që i shkaktonin ato kushte, ta shfrytëzojnë me mençuri dhe atë pezëm të mbledhur kaherë ta shndërrojnë në demonstratë politike, rezultatet e së cilës i shohim sot.
 
Pyetje: A ju kujtohet, z.Fehmi, çfarë rrethanash politike dhe ekonomike mbretëronin në Kosovë në fillim të viteve të 80-ta?
F.Berisha: Në maj të vitit 1980 vdes revizionisti e diktatori i kamufluar Tito. Serbia fare nuk ishte e kënaqur me pozitën kushtetuese të Kosovës. Ajo veç kishte filluar haptazi të shfaqte apetitet e saja hegjemoniste. Po kështu irredentiz- mi kroat e slloven përgatitnin strategjinë për t`u shkëputur nga Jugosllavia. Shtrohet pyetja, përderisa popujt e Jugosllavisë: kroatët, sllovenët, të cilët ishin shumë më të privilegjuar se ne, bëheshin gati për t`i rritur ato privilegje, përse populli shqiptar i ish- Jugosllavisë të mos organizohej për të përmirësuar pozitën e vet shumë të rëndë? Në fushën ekonomike Kosova ishte tepër keq. Tepër- tepër e pabarabartë me republikat tjera dhe Vojvodinën. Të ardhurat mujore në Kosovë ishin nga 10-15%,më të vogla. Kur kësaj i shtohet papunësia e cila kishte arritur kulmin, punonte vetëm çdo i 22-ti banor. Qytetet ishin pa infrastrukturë. Ajo pak industri s`mund të absorbonte gjithë atë fuqi punëtore. Fshati kosovar ishte lënë totalisht në mëshirën e vet. Rrugët të cilat e lidhnin me qyteza ishin të gjitha të paasfaltuara. Atje mungonte ambulanca, shkolla…., me një fjalë mungonte gjithçka. Kështu që fshatari për t’i shkolluar fëmijët, për t’iu afruar mjekut e shkollës, ai linte fshatin dhe shpërngulej në qytet. Edhe qytezat tona ishin pa infrastrukturë të mirëfilltë, nuk mund t’i absorbonin të gjithë sa vinin, kështu që ishte një kaos i vërtetë. Në shumë lagje të Prishtinës, po të hyje, aty shihje tmerr, varfëri e sëmundje. Kosova kurrë nuk pati një planimetri ndërtimi. Kjo dhe shkaqet që i potencova më lart bënë që rrafshin-tokën e bukës, ne vetë e mbushëm me shtëpi banimi e objekte ndihmëse. Kjo në një të ardhme jo të largët Kosovës do i kushtojë shumë. Federata jugosllave, siç e thashë edhe më herët, Kosovën përpos politikisht e ripte veçanërisht ekonomikisht. Se sa e pasur ishte dhe është Kosova me minerale dihej edhe atëherë, siç dihet edhe sot, mirëpo ato merreshin vazhdimisht e pa ndërprerë nga jugosllavët e në veçanti nga shkiet. Në vendet udhëheqëse të punës, në ndarje banesash, etj., me një fjalë në të gjitha fushat shkiet ishin të privilegjuar kur kihet parasysh përqindja në numër banorësh. Ne mund të bisedonim hapur nëpër ndeja për krejt dynjanë,nëse nga kjo dynja përjashtonim Shqipërinë. Kjo dhimbte, kjo dhimbte fort. Fol e këndo për kë të duash, ama për vete s’ guxon! E PRA DO TË GUXOJMË.
 
Pyetje: Erdhëm kështu tek viti i madh 1981. Më 11 mars shpërthyen Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Për ty dhe bashkëmendimtarët tuaj “tingëlloi çasti i mbramë”, siç thoshte Migjeni, për veprim.
F.Berisha: Edhe pse zakonisht lulet hapen në mëngjes, asaj radhe në Prishtinë ato qenë hapur në mbrëmje. Pezmi i mbledhur nëpër vite shpërtheu me tërë vrullin e tij dhe në tërë botën u dëgjua fuqishëm thirrja LIRI! Pakënaqësinë e studentëve për kushtet e rënda dhe pakënaqësinë, kundër burokracisë, që i shkaktonte ato kushte,studentët nuk e duruan më. Atë pakënaqësi deshën ta ngulfasin, atë pakënaqësi deshën ta hedhin së bashku me shkaktarët e saj, që ishin të bollshëm. Dhe shpërthyen,fuqishëm shpërthyen. Parullat sociale që fillimisht brohoriteshin nga të pakënaqurit, anëtarët e shumtë, të shumë grupeve ilegale të kohës, ato kërkesa i ngjyrosën me petkun politik. Për mbarë popullin mesazhi qe i qartë. Studentët më 26 mars dolën me kërkesa politike. Arsim Sejdiu, i cili qe angazhuar në to, po atë mbrëmje, pra më 11 Mars, erdhi dhe më shpjegoi në detaje se si ishin zhvilluar ngjarjet dhe shtroj pyetjen: çka tutje? Duhet ti organizojmë patjetër këtu në Podujevë-iu përgjigja. Kështu vazhduan më pastaj demonstratat në tërë Kosovën.
 
Pyetje: Cila ishte veprimtaria konkrete e grupit tuaj në këto ngjarje madhore?
F.Berisha: Gati të gjithë anëtarët e grupit tonë në Demonstratën e 11 e 26 Marsit kishin marrë pjesë dhe kishin qenë shumë aktivë, veçanërisht shokët nga Dibra e Prishtina. Më 12 mars, ne shumica e anëtarëve të grupit, në mbrëmje u gjetëm në banesën e Kastriotit. Në Bregun e Diellit në Prishtinë. Pas bisedash dhe komentesh për rrjedhën e Demonstratës së 11 marsit, u vendos:
   1. Në Podujevë, gjithsesi, të organizohej një demonstratë
   2. Se duhej menjëherë të veprohej në terren. Shpejt, të bisedohej me sa më shumë bashkëveprimtarë, në veçanti në shkollat e mesme të Podujevës dhe me punëtorët në ndërmarrjet punuese, siç ishin: Kombinati i Drurit, ku punonte Hetem Ajeti, në Fapol, ku kishim shokun Isak Qerimi në Kosovatrans, ku kishim shokun Bajrush Behrami dhe Hisen Potera dhe në Javor, ku punonte Rushit Maloku. Gjithkund nëpër fshatra, aty ku kishim të njohur e shokë të mobilizonim sa më shumë.
   3. Të informoheshin dhe konsultoheshin bartësit e demonstratave të 1968-tës: Xhela, Hakifi, Syla, Hamiti, Abdullahu.
   4. Të bisedohej me profesorët: Hazir Raçin, Mehmet Breznicen, Bajram Blakun, Ejup Shalën, Hamdi Mustafën, Fetah Shehollin dhe Ahmet e Xhevat Hotin, por edhe me shokun tim, Xhemail Hoxha-gazetar në RTP.
   5. Të bisedohej edhe me nxënësit, të cilët i kemi përmendur më herët; Hakif Zejnullahun, Xhafer Berishen, Ali Shehollin, Bajram Lahun, Sami e Ismail Berishen, eventualisht edhe me ndonjë tjetër. Këta nxënës do e përhapnin në shkolla se demonstrata do të bëhet, pa e ditur datën dhe kohën e saktë kur, në mënyrë që edhe më të elektrizohej masa.
   6. Demonstrata do të fillonte fiks në ora 13.00 .Duhej shfrytëzuar të dy ndërrimet e shkollës. Flamurin do e shpaloste Fehmi Berisha, i cili do bënte thirrjen për bashkëngjitje- përkrahje, pasi konsideronim se profesorët dhe nxënësit do e kishin përgatitur terrenin ,sado që demonstrata e studentëve pothuajse e kishte kryer këtë detyrë dhe vetëm pritej shkëndija. Kështu vendosëm për arsye që pasi të më arrestonin mua, gjë që pritej, mbrojtja ime para hetuesve do ishte: I inspiruar nga demonstratat e studentëve, kam vepruar vetë, sepse e kam ditur që gatishmëria ekziston, vetëm duhej një shkëndijë ,nuk më doli bash kështu…
   7. Parullat, të cilat do të brohoriteshin: Kushtetutë, Kushtetutë, Liri - Liri, Bashkim - Bashkim, Poshtë tradhtarët, Poshtë Titistët, Rroftë Shqipëria, Rroftë Adem Demaçi, Trepça Punon - Beogradi Ndërton, Nuk jemi jugosllavë - Jemi Shqiptarë, Jemi Komb - jo kombësi, Vetëvendosje - Vetëvendosje. Parakalimi do të bëhej prej Gjimnazi deri te Fapoli. Do të na bashkëngjiteshin punëtorët e Kombinatit të drurit, nxënësit e Teknikës, punëtorët e Fapolit, Kosovatransit, pastaj do të ktheheshim drejt Qendrës dhe do marshonim deri te Javori, ku do na bashkëngjiteshin edhe punëtorët e kësaj ndërmarrjeje. Llogarisnim edhe në qytetarë të rastit, nga çajtoret e shumta,që atë ditë do të ishin të stërmbushura, pasi që do vinin nga fshatrat pikërisht për demonstratën.
 
Pyetje: Pas këtij takimi vendimmarrës në Prishtinë, ku u takuat herën tjetër dhe çka vendosët?
F.Berisha: Më 13 mars, në shtëpinë e Avdyl dhe Abdullah Mustafës në Gllamnik, ishim Unë, Hetem Ajeti, Avdyli, Abdullahu dhe HamdiuMustafa. Edhe në këtë takim pune u diskutua dhe analizua demonstrata e Prishtinës dhe situata në përgjithësi. Ua shfaqa Projektin tim. U pëlqeu. Abdyli hulumtoi mundësinë e mbajtjes së demonstratës në Podujevë më 13 prill, datë me të cilën në 1964 nga Enver Mehmeti - Gërguri, në Letanc, mbi Varrin e heroit Shaban Shala ishte shpalosur Flamuri Kombëtar; donte të jetë një simbolikë. Edhe pse kjo na cyste, sepse vërtet na pëlqeu shumë, nuk u pranua propozimi, për arsye se donim që demonstrata të bëhej më shpejt. Ajo ditë e rëndësishme na dukej larg. Pas diskutimeve, vendosëm që demonstrata të organizohej më 27 mars. Edhe në këtë takim u bisedua se si duhej biseduar me sa më shumë njerëz të besueshëm. Në punë e sipër, për të njëjtin qëllim, u takova me nxënësen Gjyle Krasniqi, e cila më njoftoj se edhe ajo me një grup shokësh ishin në lëvizje pikërisht për këtë qëllim.Ishte tepër e vendosur që ajo ta shpaloste flamurin. Pa hezitim u pajtova, por duke e potencuar se duhej të ishte e gatshme për burgun që do të pasonte. Ishte e vetëdijshme për këtë, por e vendosur ta bënte.
 
Ndërroi strategjia
 
U morëm vesh që ditën e caktuar Gjyla do ta mbante flamurin dhe me nxënës do vinin drejt qytetit, kinse për të pritur stafetën. Në vend të caktuar-ende pa mbërri te Shtëpia e Mallrave, unë me shumë shokë të cekur më lartë do t` i prisnim me parullat e përgatitura më heret, do të vendoseshim në dy tri radhët e para, si më të rritur që ishim, do të ishim rreth flamurit dhe bartëses së tij dhe do brohoritnim parullat të cilat i ceka më lart. Marshimi do të bëhej siç u cek më herët. Brenda ditëve deri më 27 mars kisha takuar dhe biseduar me të gjithë shokët ,për të cilët kishim marrë vendim në takimin e 12 marsit te Kastrioti. Hollësisht kisha biseduar me bartësit e demonstratave të 68-tës. Ata e pëlqyen projektin, por ishin kundër që demonstrata të mbahej më 27 mars, kur në Podujevë do të pritej e përcillej stafeta e Titos, jo pse nuk donin që ajo „kremte“ të prishej, por ishin të bindur se atë ditë në Podujevë do të ketë forca të mëdha të policisë. Këtë mendim më herët patën shfaqur edhe Ramadan Dibrani e Mustafë Abdyli, por ata meqë nuk do të ekspozoheshin në radhët e para, sipas marrëveshjes, lëshuan pe para këmbëngulësisë sime. Paraditen e 27 marsit në qytet nuk vërejta masë të madhe të njerëzve, ashtu siç kisha menduar se do të ketë. Derisa milicë e civilë të UDB-së dhe aktivistë të LKK-së kishte shumë. Nuk e di,nuk ishin ftuar në përcjellje të stafetës nxënësit e rritur, apo nuk kishin dalë vetë, por nga Gjimnazi në drejtim të Qendrës vinin vetëm nxënësit e klasave të para dhe të dyta. Ne më të rriturit; Anëtarët e grupit dhe veprimtarët: Hisen Potera, Ali Potera, Jahir Gashi, Nazmi Gashi, Muhamet Kutleshi, Isak Qerimi, Rushit Maloku, Hetem Ajeti, Avdi Latifi, në pritje të nxënësve ishim ndarë në 2-3 grupe, që të mos vëreheshim. Shpejt jemi marrë vesh mes vete që demonstrata të shtyhej, pra të mos fillonte, meqenëse mungonin maturantët dhe klasat e treta. Këtë qëndrim të shokëve ia kam komunikuar Gjylës në rrugë e sipër, dhe ajo paksa e befasuar, por e pranoi. Në mbrëmje Gjyla më ftoi në një takim pune, i cili do të mbahej në shtëpinë e Sabit Latifit - Monollit, aty ku edhe banonte ajo. Takimi do të mbahej më 29 mars `81 dhe do të fillonte punën në ora 20.00.
- Më 29 mars, paradite, me Kastriot Haxhirexhën shkuam në shtëpi te Nazmi Sejdiu - Perani, babai i Arsimit. Baca Nazmi nga ne u informua në detaje për të gjitha. Na sugjeroj që nga parullat të hiqej ajo për Demaçin, i cili ishte mjaft i afirmuar dhe nuk kishte nevojë për afirmim dhe të cilit mund vetëm t’ia keqësonim gjendjen në burg, të hiqej edhe  parulla Bashkim - Bashkim, dhe të shtohej parulla: Republikë - Republikë. Kjo për arsye, sepse mesazhi ishte i qartë; të gjithë e duam bashkimin, por edhe parulla; bashkim - bashkim do u jep më shumë vite burgu... Duke na përcjellë, baca Nazmi më tha:”... jam i bindur se gjatë hetimeve më së shumti do ta ngarkosh veten dhe do bësh ç`është e mundur që t’i kursesh shokët”.
 
Pyetje: Vendimet e tubimit të Prishtinës do i përcjellësh në Podujevë, kush ishte i pranishëm në këtë mbledhje dhe çfarë rrjedhe pati?
F.Berisha: „Ilegaliteti është formë specifike e veprimit, që gjithsesi ka gjuhën e vet”.Më 29 mars, nga Prishtina, rreth orës 20.30 (me gjysmë ore vonesë) arrita te shtëpia e Sabit Latifit, ku më priste Gjyla. Me të hyrë në korridor pashë aq shumë këpucë, sa u befasova….as gjysmën nuk i njoh - më tha Gjyla. As vetë nuk e di si kanë ardhur; shok pas shoku. Por ju, nëse doni, mos hyni, vazhdoi ajo. Nuk ishte çështja të hyja apo të mos hyja unë, por kisha frikë që ne do të vreheshim dhe rrethoheshim e mirreshim po atë natë,sepse fqinji i parë me Sabitin ishte serb,pastaj shtëpia e Sabitit, ku ne ishim tubuar ishte afër Gjimnazit e sigurisht shkollat përgjoheshin e ruheshin nga aktivistët e LKJ-së dhe bashkëpunëtorët e UDB-së. Pas pak minutash që hyra brenda dhe pashë nxënësit e tubuar-diku rreth 40 veta, në një sallon të madh e të rregulluar bukur, muret e të cilit stoliseshin me fotografitë e shumë Rilindësve tanë, ngadalë kërkova nga Gjyla e Avdiu të dilnim deri në korridor. Biseduam që të vendoseshin rojat dhe për të pasur një alibi, në rast se rrethoheshim atë natë. Me t`u kthyer në sallon, Gjylës unë do t’ia uroja ditëlindjen. Këtij urimi iu bashkëngjiten edhe të tjerët. Shih, ky inskenim më vonë gjatë hetimeve do të bëjë që nga aktakuza të lirohet Sabit Latifi-pronar i shtëpisë. Këmbëngulja ime, që unë e kam shfrytëzuar ditëlindjen e Gjylës për qëllime të mia - nxitje për demonstratë. Pasi u vendosen rojat, Salih Salihu hapi mbledhjen dhe dha propozimin: Të themelohej Organizata Shaban Shala. Pas disa reagimeve;pajtimeve e mospajtimeve me atë emër,ndërhyra unë dhe u sugjerova se nuk kishte nevojë të themelohej kurrfarë organizate. Organizata ekziston - u thash. Atë e ka themeluar dikur Adem Demaçi. Bartësit e `68-tës janë vazhdimësi e asaj organizate e ne jemi vazhdimësi e grupit të bartësve të Demonstratave të 68-tës, kështu që... Pastaj, pasi që do bëjmë demonstratat, ne duhet shkuar në burg. Vetëm të qenit anëtar Organizate tërheq rreth pesë vjet burg…, kështu që .. U fola për parullat. U pajtuan. U fola për përleshjen që do ta kemi me milicinë, përleshje në të cilën ne do të përdornim gurët, të cilët më parë të përgatitur nëpër qese najloni do të barteshin nga disa nxënës të caktuar. Mund edhe të shtien në ne me armë zjarri; flamuri nuk guxon të bjerë. Ai duhet të ecë përpara. Ndalim ose prapa, s`ka. Vullneti dhe vendosmëria e tyre ishte e madhe. Pak a shumë u fola edhe për fazën e hetimeve. Ishin të vendosur, pavarësisht çmimit. Diku rreth orës 03 me Avdiun e Sabitin kemi dalë, pas porosisë - nga shtëpia të dilni dy nga dy (që të mos binin në sy). Ata kishin vazhduar deri në mëngjes dhe kishin stërholluar edhe më bisedën se si do dukej demonstrata, dhe mirë kanë bërë, si të dilnin natën gjithë ata.
 
Pyetje: Shihet se ju ditët e fundit të marsit bëni një aktivitet shumë të dendur. Ku dhe me kë stërholluat detajet e demonstratës së 1 Prillit?
F.Berisha: Më tridhjetë mars me prof. Mehmet Breznicën shkuam në fshatin tim, pra në Dyz. Në odën e Fadilit na prisnin: Ilmi, Sami, Ismail e Xhelal Berisha dhe Jetullah e Sadri Islami. Këtu erdhëm për të shkruar një fletëthirrje në shumë kopje (e cila do të hidhej dhe shkapërderdhej nga kati i dytë më një prill, në Gjimnaz, siç kisha dhënë një propozim në takimin e 29 marsit te Gjyla, vetëm se atje nuk u kisha treguar që unë do t’i përgatisja ato thirrje. Më herët Jetullahu makinën e shkrimit të Mustafë Abdylit e kishte marrë nga ai dhe e kishte dërguar në Dyz. Meqë asnjëri nga ne nuk dinim të shkruanim me makinë shkrimi,për të na e shkruar këtë fletëthirrje thirrëm fqinjin tonë Is Llapashtica, i cili kishte të kryer kursin e daktilografisë. Ai erdhi, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t`i daktilografonte. Punën për të cilën ishim tubuar nuk e kryem. Gjatë bisedave erdhëm në konkluzionin se edhe pa hedhjen e fletëthirrjes me shkrim,meqenëse demonstrata e 26 Marsit në Prishtinë e kishte nxehur masën përgjithësisht në Kosovë,sepse Milicia e Serbisë kishte qenë tepër brutale kundër studentëve e në veçanti brutal kishin qenë kundër studenteve. Në anën tjetër nxënësit do i përgjigjeshin thirrjes gojore dhe shpalosjes së flamurit që do bënte Gjyla. Ajo vajzë së bashku me Avdi e Sabit Monollin kishin punuar e mobilizuar aq shumë, sa puna e tyre dhe e shokëve të tjerë u pa më 1 e 2 Prill,kur thekshëm jehoi zëri i saj: LIRI! Përpara Shokë! Zë të cilit ju përgjigj i tërë Llapi. Sepse, siç e dimë tash të gjithë,demonstrata e Podujevës,ishte e fuqishme dhe e mirë organizuar, sikurse ajo e kryeqendrës - Prishtinës. Gjyla me shokë e shoqe me plotë dinjitet kishin ditur t`i prijnë dhe ta udhëheqin masën, e cila gjithashtu me plotë dinjitet e madhështi ju kishte përgjigjur asaj shote të rilindur.
 
Pyetje: Gjithë kjo punë me rreziqe, gjithë ky mund i derdhur i trimave dhe trimëreshave sypatrembur dhanë rezultatin e dëshiruar. Demonstratat e 1 dhe 2 prillit në Podujevë qenë shumë madhështore. Megjithatë, ju nuk ishit në ballë të tyre. Si ndodhi kjo?
F.Berisha: “Tvoja sreça u nesreçi “ (fati yt në fatkeqësi), më tha një inspektor në “CZ-në” e Beogradit. Pse?-e pyeta. Që të kemi arrestuar natën e 31 marsit, përndryshe ti do të ishe në ballë të demonstratave, dhe ne do të të dënonim edhe pesë vjet më shumë, m’u përgjigj ai. - Me kënaqësi të madhe do i pranoja edhe pesë vite më tepër dënim vetëm të isha në mes shokëve në demonstratë dhe të përjetoja kënaqësinë, i thashë unë. Jo se shokët dhe shoqet e mia kanë lënë gjë mangut, por do kisha kënaqësinë të shihja frytin e asaj çfarë kisha mbjellë gjatë vitesh.
 
Pyetje: Si ndodhi arrestimi?
F.Berisha: Për mbrëmjen e 31 marsit, në shtëpinë time kisha ftuar Avdi e Sabit Latifin, Gjyle Krasniqin, Hamdi Mustafën dhe Xhemail Hoxhën.Nuk më është e njohur pse nuk patën ardhur Sabiti e Gjyla. Pasi stërholluam edhe njëherë punën e demonstratës,këta shokë i përcolla diku rreth orës 12 (pas mesnate). Ishin bërë ca ditë pa fjetur. Isha shumë i lodhur. Fjeta. Rreth orës 03-04 të mëngjesit të asaj dite nja 20-30 milicë e inspektorë të UDB-së, në krye me famëkeqin Lorenc Selmanin, më arrestuan dhe më dërguan në zyrat e UDB-së në Prishtinë.
 
Pyetje: Ju thatë se brohoritjet e demonstruesve në Prishtinë i keni dëgjuar përmes dritareve të Zyrës së UDB-së .Sigurisht që kjo ju ka dhënë zemër të qëndronit. Çfarë ishte faza e hetimeve? Çka kërkonin nga ju udbashët me figurë njeriu e sjellje bishe?
F.Berisha: Më 1 prill, tërë mëngjesin e hershëm dhe tërë ditën më kanë mbajtur në njërën nga zyrat e UDB-së, te dera e së cilës rrinin dy milicë..Herë-herë brohoritjet e demonstruesve dëgjoheshin më shumë,vinin më të forta. Shpirti më mbushej e zemra më bëhej mal, sepse vërtet isha i lidhur ngushtë me ato ngjarje. Brohoritjet në ato momente më vinin si një melodi e cila të mbush shpirtin dhe të freskon përgjithësisht,por ishte edhe një lloj dhembje, sepse diçka që e ke gjakuar prej vitesh,e ndjeje, por s`mund ta shihje, s`mund ta prekje….Fillimisht nga unë kërkonin Shtabin Organizativ, por meqë më kishin arrestuar disa orë para se në Podujevë të shpërthenin demonstratat,unë luaja rolin e një titisti dhe projugosllavi të bindur, kështu që deri më 19 prill mua as që më qenë hapur hetimet. Mirëpo, pasi te njëri nga bashkëveprim -tarët kishin zën e marr listen e emrave tërësisht kishin zbuluar tubimin e 29 marsit, mbajtur në shtëpinë e Sabit Latifit, i kisha të freskëta porositë e bacës Nazmi “… çdo revolucionar, nëse veç ka rënë brenda, duhet bërë përpjekje që gjërat t`i marrë mbi vete, në mënyrë që të kursehen shokët.Meqë ju po e dini rrjedhën e tubimit, unë po ju them: I ftuar në ditëlindjen e Gjyles, duke parë atë rini me shumë atdhedashuri e të gatëshme për shpërthim, unë kam shfrytëzuar rastin dhe i kam nxitur e thirrur për demonstratë. Thjeshtë kam shfrytëzuar ditëlindjen e Gjylës për qëllime të mia. Çdo gjë që ata të rinj kanë thënë, në lidhje me mua dhe demonstratën e 1 prillit në Podujevë, unë e pranoj. Hetimet kanë qenë të gjata, të mundimshme dhe tepër brutale. Udbashët: Asllan Sllamniku nga Smallush e Lipjanit, Bafti? nga Medvegja e Nazmi Bexheti nga Shkupi, kërkonin shumë çka, madje edhe ku, në cilat male ”isha takuar me Enver Hoxhën”?! Lorenci ua kishte dorëzuar një listë,të cilën e kishte përpiluar vetë, me rreth 60 emra. Sipas tyre, të gjithë ata emra që ishin në atë listë e përbënin organizatën më të madhe që ndonjë herë kishte operuar në Kosovë,pas asaj që dikur e kishte themeluar Adem Demaçi. Përkundër torturave më çnjerëzore, por edhe premtimit se po e pranova “do të lirojmë menjëherë, me mercedes do të dërgoj në shtëpi,sot.Do të punsojmë dhe askush s`do të guxojë të të zgjas gishtin; më lajkëtonin Musa Baleci e Sllavkoviçi. Unë vazhdimisht ua mohova këtë në mënyrë të prerë.Herën e pestë kur inspektori Asllan Sllamniku më shpuri në zyrën e tyre,ajo metodë e butë e të marrurit në pyetje me lajka e premtime më lëndonte shumë.Merre lapsin i thash Musa Balecit dhe kaja nanen po e themelojmë.Ooo, iu dukt se ia fala Prishtinen. Mendoi; - e qiti duqin ky. Shkruaj i thash: Me datën nn - (thash datën e asaj dite) në zyren e Musa Balecit dhe me kërkesën e tij dhe të Sllavkoviqit e në prani të Asllan Sllamnikut e të burgosurit Fehmi Berisha themelohet Organizata Ilegale.., si do ta quajmë i pyeta. Musa hudhi lapsin në tavolinë dhe njëkohësisht lëshojë një frymë nga mushkërit e cila i gjasoi shfryrjes së një baloni. Qoje këtë pis Asllan, qoje këtë pis - bërtiti ai duke u ngritur si i qartur. Asllani me Baftiun e Nazmiun, por edhe me ndihmen e një shkau të Beogradit( trashullë rreth 150 Kg.tul) vazhduan me atë metodën e masazhave - për të cilat kanë qenë mjeshter të mëdhenjë. Realisht ajo organizatë nuk ekzistonte ashtu siç e kishin vizatuar ata; një lloj harte Podujevë - Prishtinë - Gjilan - Tërnoc dhe Podujevë - Prishtinë –Dibër. Ata shokë, të listës së përpiluar nga inspektori Lorenc Selmani, kishin vepruar, por jo në atë mënyrë të organizuar siç e jipnin UDB-a. Ekzistonte vetëm ai grup për të cilin fola më parë, mirëpo as për atë grup unë nuk kisha pranuar gjë. Normalisht shumë gjëra ishin zbuluar, sepse u muar vesh gabimet ishin bërë heret; moskonspiracioni i duhur, stupci i fortë, papërvoja e gjeturisë gjatë hetimeve; unë një fjalë, ai një fjalë, tjetri një fjalë, fieja e lëmshit ishte zhvilluar; për këtë merita u takon aftësive të hetuesve me përvojë të madhe për të hulumtuar e mbledh informata në teren, etj. etj. kishin bërë që ne një numër shokësh e shoqesh të mshileshim, mirëpo, përpiqesha të “arsyetohem”, se po, kemi vepruar ashtu të paorganizuar. Këtë edhe e arrita deridiku, sepse nuk u zbulua se kishte një grup që quhej: GRUPI REVOLUCIONAR PËR BASHKIM KOMBËTAR, themeluar më 1974 dhe falë kësaj shumë shokë mbetën të pazbuluar. Vetë fakti që Lorenci më kishte parë me qindra herë nëpër qajtoret e Podujevës me bartësit e demonstratave të `68-tës; Xhelen, Hakifin, Sabitin, etj etj, ishte vështir të arsyetohej se unë kisha bërë gjithë atë veprim(thoshin ata) e shokët e tu s` kanë ditur asgjë. Pa ti ndrrojmë rolet thoshte Asllani; Do të besoje ti? Ti natë e ditë me Xhelen e Hakifin, dhe ti gjithë këtë veprimtari armiqësore e Xhela yt s` di gjë?! Ti kurr nuk paske biseduar me ta! Si të të besojmë? Kjo është e pamundur. Kjo është rren e pabesueshme. Ti po i mshef shokët. Hajde folë.Ne e dimë; ti je më i ri dhe më i pashkolluar se ata,por edhe më i papërvojë se ata. Ja Xhela e Hakifi thonë: Po, na jem burra, i kem bërë të gjitha dhe ja ku jem,nuk tërhiqemi nga veprimet e mendimet tona dhe pikë. Të gjitha këto me muaj të tërë i hudha poshtë me vendosmëri. Kjo, por normal edhe çëndrimi i palëkundur i tyre, bëri që shokët e `68-tës pas gjashtë muaj hetimesh të vështira të liroheshin.
 
Pyetje: Sigurisht i njihje personat e shënuar në atë listë?
F.Berisha: Po, si jo. Të gjithë ishin shokë të mi. Kishte edhe veprimtarë të rinj;profesor të Podujevës,student,punëtor,por ishin shënuar të gjithë udhëheqësit e demonstratave të 68-tes,gjithashtu Ahmet Haxhiu e Azem Beqiri, veprimtarë të radhëve të para,shokë dhe bashkëpunëtorë të bacës Adem.
 
Pyetje: Pasuan dënimet drakonike. Kush u dënua nga grupi juaj?
F.Berisha: Meqë në Llap nuk arritën të zbulojnë, sipas tyre organizatën me mbi 60 anëtarë, ata megjithëkëtë, për veprimtarinë e madhe dhe për organizimin e demonstratave në Podujevë në bazë të Aktakuzës së ngritur nga prokurori Jasiqi, në shtator të vitit 1981 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Isak Nishevci, sipas nenit 136 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ-së në "emër të popullit” i dënoi këta veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare:
 
1. Salih Salihu  15 vjet - stud.i batit
2. Fehmi Berisha 15 vjet - st. i let dhe gj.shqipe,viti i tretë
3. Selatin Shala 12 vjet- sh.m.
4. Avdi latifi   9 vjet   punëtor-zdrukthtar
5. Hamdi Mustafa   8 vjet prof. i let. dhe gj.frenge.
6. Ejup Shala   4 vjet prof.i let.dhe gj.shqipe.
 
Derisa në Shkup u dënuan shokët:
 
7. Kastriot Haxhiregj  8 vjet- student i vitit tretë të mjeksis.
8. Bashkim Mashkulli 7 vjet- student i vitit tretë
9. Petrit Bomova  6 vjet-student i vitit të dytë let.gj.shqipe
10. Qazim Qorrmemeti  5 vjet stud.i Fak.Ekon.,viti i tretë
11. Muharrem Dovolani  4 vjet , absolvent i gjeografisë
 
Në mungesë faktesh për kundërvajtje u dënuan pas torturash të mëdha:
 
1. Prof. Jetullah Islami (tash Dëshmor i Kombit)
2. Ing. Ramadan Dibrani
3. Tek. Arsim Sejdiu
4. Prof. Hazir Raçi
5. Nx. Sami Berisha
6. Nx.Ismail Berisha (bartë pasoja të rënda shëndetsore nga torturatë), derisa pas gjashtë muaj hetimesh dhe tortursh të rënda e në mungesë faktesh u liruan të tre shokët e mi të ngusht, bartësit e Demonstratave të`68-tës.
7. Ing. Xheladin Rekaliu,
8.Jur. Hakif Sheholli,
9.Adm. Fahri Raçi
 
Pyetje: Këta emra që i përmendët janë dëshmi se shumë veprimtarë, përkundër brutalitetit të paparë, mbetën të pazbuluar?
F. Berisha: Fatbardhësisht po. Shumë shokë e shoqe në Podujevë, Prishtinë e Maqedoni,falë gjeturisë së të arrestuarve,edhe pse veprimtaria e tyre qe e mirëfilltë dhe e shumëvitshme nuk u zbuluan.Ata vazhduan veprimtarinë.
 
Pyetje: Në cilat burgje serbe e vuajte dënimin?
F. Berisha: Pas 9 muaj hetimesh dhe shqiptimit të dënimit, nga lartmadhëria e tij gjykatës Isak Nishefci, më transferuan në burgun famëkeq, në “CZ” të Beogradit, ku më vendosën në një nga qelitë e atij burgu dhe sërish rifilluan hetimet, të cilat zgjatën jo më pak se tetë muaj. Në atë burg më mbajtën 30 muaj dhe pas një rrebelimi të ne 13 shokëve më transferuan në burgun e Pozharevcit, ku bëra 46 muaj. Edhe nga ky burg pas një proteste të të gjithë ne të dënuarve politik, që ishim rreth dyzet, më transferuan në burgun e Nishit ku më mbajtën rreth 30 muaj. Dhe më pas, pas një rebelimi - rrahje masive në mes milicisë së burgut dhe rrethë 250 të burgosurve, mua së bashku me Bajram Kosumin, na transferuan në burgun e Zajçarit, nga ku pas gjashtë muajsh përfundoi dënim dhe u këtheva në shtëpi, në qytezen më të bukur të botës. Tretmani për të dënuarit politikë shqiptarë qe shumë i rëndë. Si edhe shumica e shokëve të mi,prej 10 vitesh, aq sa bëra burg, 8 vjet më mbajtën në burg të rëndë. Nga tërë kjo kohë më se 18 muaj më mbajtën në birucë.
 
Pyetje: Kur të liruan nga burgu, në çfarë gjendje e gjete Kosovën?
F.Berisha: Me arkivole ushtarësh shqiptarë që ktheheshin nga ushtria jugosllave dhe me LDK-në të cilën e kishte themeluar UDB-a, parti e dirigjuar dhe plotësisht e kontrolluar, në të cilën gravitonin të mirë e të këqij; gjykatës e të dënuar, inspektorë UDBE e të shkallmuar prej tyre, intelektualë dhe fshatarë. Pra me një fjalë aty ishte një han në të cilin hynte dhe dilte cilido. Aty ishin mbledhur soj e sorollop dhe nuk kishte kurrfarë kriteresh, ishte një buqkurish, një mish mash. Ajo parti e themeluar, që shtirej se e kishte pushtetin, e në fakt pushtetin tërësisht e kishte Serbia. Ajo ishte një mafi zhvatëse, mashtruese dhe asgjë tjetër. Kjo u dëshmua gjatë të gjitha viteve e në veçanti gjatë luftës së UCK-së, atëherë kur kishim nevojë për armë, ushqim e çdo gjë tjetër, mirëpo mafiozët nuk na ndihmuan, gjithnjë duke menduar se me ato para që ua kishin marr popullit, më leht do bënin biznes e do i qaseshin pushtetit; ashtu edhe siç ndodhi pas largimit të ushtrisë serbe, kur edhe filloj harrlisja.
 
Pyetje: Për demonstratat e vitit 1981 janë dhënë mendime të ndryshme. Nga kjo distancë kohore, çfarë vlerësimi keni për kohën e shpërthimit dhe për efektet e tyre?
F.Berisha: Po, kam dëgjuar e dëgjoj të thuhet se ato ngjarje ishin të parakohshme dhe se Serbia i shfrytëzoi për të rrënuar autonominë. Madje madje, disa nga mjeranët të cilët atë kohë e udhëhiqnin atë autonomi, pa turp edhe deklaronin,besa deklarojnë edhe sot, se ato demonstrata i kishin organizuar shërbimet e jashtme, si KGB-ja, por edhe vetë Serbia! Këto janë, thënë më së buti, spekulime të thëna prej atyre të cilët pa hezitim dhe me vullnet e ndihmuan Serbinë për të vrarë, gjymtuar, burgosur e dënuar rininë e Kosovës. Të tillët kurrë atdheun e tyre nuk e kanë dashur me zemër. Të imagjinojmë për një çast,sikur udhëheqja e asokohshme e Kosovës të përkrahte kërkesat e popullit, sikur ajo udhëheqësi të rreshtohej përkrah nesh,sikur të gjith ata intelektual të rreshtoheshin me ne,sikur gjithë ata gazetar të na mbronin e të ishin me ne... Mirëpo, jo. Ata nuk ishin askund. Ata nuk ishin të gatshëm të rreshtohen me popullin,sepse ata ishin të bindur se autonomia e Kosovës ishte kulmi i të arriturave të Kosovës, se autonomia e Kosovës ishte vetë liria. Ata ishin shndërruar në pashallarë dhe mendonin se pushtetin e kishin me tapi dhe se ai pushtet u takon përjetësisht. Mund vetëm të silleshin në rreth pozicionesh. Ata fortë, fortë ishin për “bratstvo - jedinstvon”, bile edhe më keq; ata në këtë bratstvo - jedinstvo donin ta tërhiqnin edhe Shqipërinë. Të gjithë e dimë se i vetmi intelektual i mirëfilltë, i cili u rreshtua me ne popullin, qe Prof. Ukshin Hoti. Kjo s`do të thotë se gjithë intelektualë e profesorë të tjerë ishin kundër nesh, por ata është e mundur të na shikonin me simpati, por nuk e kishin guximin, vullnetin të dilnin hapur në përkrahje, pra nuk ishin të gatshëm të sakrifikohen. Pothuaj të gjithë qatipët e gazetave të atyre viteve ishin LK-ista lojal dhe në shërbim të pushtetit. Mundoheshin të “shlepovateshin” e të bënin karrier. U muar vesh ne ishim të rinjë dhe nuk ishim në nivelin e duhur për të krijuar shtet. Akademia e Shkencave, nëse mund të quhet Akademi, ishte strukur, sepse kurr s`doli me një qëndrim; ndodhën Demonstratat e `68-tës, ajo heshti, ndodhën Demonstratat e `81-shes, ajo heshti, ndodhi Lufta Heroike e UCK-së ajo heshti, kurr s` doli me një qëndrim apo program se çka e si më tutje, çfarë Akademie është ajo,pse ekziston ajo...., ajo edhe sot heshtë.Është sakat apo tul mas veshi? Ne organizatorët e demonstratave të vitit 1981 dhe një pjesë e   mirë e popullit të Kosovës i kemi ditur mirë qëllimet për zhdukjen fizike të shqiptarëve nga trojet stërgjyshore, të planifikuara nga të gjitha regjimet raciste e fashiste të Serbisë. Nga perspektiva e sotme kjo është shumë e qartë. Po të lexohet “Libri i kaltër”, i hartuar nga një komision i shtresave të kryesisë socialiste të Serbisë,në vitin 1976, me shifër “shumë sekret”, por kurrë i botuar. Projekt kundërshqiptar fund e krye. Unë mendoj se ato demonstrata u organizuan pikërisht në kohën e duhur, se qenë rezultat logjik i punës së madhe të gjithë atdhedshë-sve, vetëdies së ngritur kombëtare, në të cilën padyshim ndikuan edhe Radio Tirana, Radio Kuksi dhe TVSH, me programet e tyre, që fatbardhësisht ato vite në Kosovë dhe trojet shqipëtare në Jugosllavi përcilleshin me interesim. Të gjitha bashkë kanë shkatërruar Jugosllavinë artificiale, dhe mendoj që: EPOPEJA E LAVDISHME E UÇK-së, QE REZULTAT I PARË I ASAJ PRANVERE, ose ajo pranverë ishte hapi i parë i UÇK-së.
 
Pyetje: Ju, z.Fehmi, dy-tri vite pas daljes nga burgu e latë Kosovën dhe erdhët në Zvicër, pse ndodhi kjo?
F.Berisha: Fatkeqësisht po. UDBA, përpos që më rrinin në thembër,më morën dy-tri herë në të ashtuquajturat ”biseda informative”, në të cilat më akuzonin pa asnjë fakt; “ti ke për qëllim të organizosh kryengritje….” Më se gjashtë herë na e kontrolluan shtëpinë duke përmbysur gjithë çka. Vëllai Bahredini kishte kaluar në ilegalitet, pasi që e kërkonin pareshtur. Kjo bëri që unë me shoqen time Mejremin të shmangeshim. Sigurisht me dhembje të madhe, dhembje e cila gjithnjë vjen duke u thelluar. Unë këtu e në shtete tjera europiane pash mjerimin dhe tragjedinë e njeriut tonë,sepse ky njeri, pas rrugës së Anadollit iu këthye kësaj rruge të pafundme të Europës, mirëpo ndryshimi mes këtyre rrugëve e dhembjeve nuk qëndron. Vetëm u bart nga Anadolli për në Europ. E parafrazoj Nolin; jemi njerëz me trup e shpirt të sakatosur.
 
Pyetje: Ju, z.Fehmi, as në mërgatë nuk keni pushuar së vepruari. Me disa shokë themeluat shoqatën humanitare “ALI AJETI”, cila ishte puna e saj?
F.Berisha: Shpirtërisht e kam përkrahur LPK-në, edhe pse zyrtarisht nuk kam qenë anëtar. (Nuk i duroja dotë disa individ). Thellësisht jam i bindur se e kam përkrahur dhe kam bërë për të shumë më shumë se një numër i madh syresh të cilët ishin brenda saj. Themelimi i shoqatës “ALI AJETI” ishte një ndihmë e vogël për nevojat e mëdha të atdheut. Fare, ama fare nuk i besoja të ashtuquajturës Qeveria (mafia) Bukoshi dhe fondit të tyre të 3%-shit, fond, të cilin e zhvatnin pamëshirshëm, pikërisht ata që s`bënin asgjë për Kosovën.Bile edhe më keq, këta mashtrues e zhvatës me këtë fond për shumë vite e penguan veprimtarinë e atdhetarëve të mirëfilltë. Kuvendin themelues të Shoqatës e kemi mbajtur më 12 shkurt 1995. Punën e Kuvendit e madhëroi prania e Adem Demaçit, i cili me një fjalim shumë domethënës trimëroi dhe nxiti shumë bashkatdhetarë që të anëtarësoheshin në Shoqatë. Me mbi 100.000 (njëqind mijë) Fr. zvicerane kemi ndihmuar skamnorët. Në mënyrë simbolike kemi ndihmuar Demons-
tratën e 1 Tetorit 1997, e cila bëri kthesën vendimtare në prishjen e status-kuos,prishi përgjumjen dhjetëvjeçare dhe hapi të gjitha frengjitë për pushkët e ADEM JASHARIT e ZAHIR PAJAZITIT. Me më se 400.000 (katërqind mijë) marka gjermane kemi ndihmuar luftën e UÇK-së në Kosovë. Përafërsisht këtë shumë ka dërguar edhe dega e kësaj shoqate nga Gjermania.
 
Pyetje: Ju disa vite ua kushtuat edhe fëmijëve të mërgimta-
rëve tanë, në mësimin e gjuhës shqipe, pothuajse falas?
F.Berisha: Po. Para se të migroja unë në Zvicër, bashkatdhetarët tanë e kishin ndarë shkollën, apo më mirë t’i quaj kurset për gjuhën dhe kulturën shqiptare, nga ato jugosllave. Me fëmijët tanë fillova të punoj në vitin shkollor 1993/94, për 12 vite punova në tërë Kantonin e Cyrihut. U përpoqëm, që sado pak, fëmijët tanë t`i lidhnim me gjuhën, kulturën, traditat e atdheut-rrënjët tona.
 
Pyetje: Dalja e UÇK-së në skenë solli kualitete të reja në luftën çlirimtare të popullit shqiptar. Jehona e pushkëve të saj ju rrëmbeu edhe juve me mendje e trup...
F.Berisha: Desha të isha krah Jetullah Islamit, Ramadan Dibranit, Abdullah Mustafës-Lales e shumë bashkëvepr-
imtarve tjerë në ZOLL, por.... Në vitin 1998 punoja mësues në LAPSH në Kantonin e Cyrihut. Në Kosovë nga frengjitë e ndërtuara në pranverën e madhe të vitit 1981 e hapjen e tyre më 1 Tetor 1987, Zahir Pajaziti e Adem Jashari me shokë shprazen pushkët e LIRISË, jehona e të cilave u dëgja në gjithë botën. Lufta për çlirimin e trojeve shqiptare të mbetura dhunëtisht në Jugosllavi filloi. Nuk mund të rrija në Cyrih dhe të soditja hënën, normalisht, pa hamendje vendosa t` u bashkangjitem luftëtarve të lirisë. Që nga viti 1992, kur Hakif Zejnullahu në odën e Sabit Zejnullahut shtronte nevojën dhe ishte këmbngulës për formimin e ushtrisë, unë vazhdimisht nëpër shumë ndeja e tubime kisha mbajtur qëndrim; se Serbinë nga Kosova mund ta largojmë vetëm me luftë të armatosur. Ishte fundmaji, kur diku rreth mesnate nga Tirana në telefon më morën Komandant Remi dhe Bedri Ajeti. Pasi nga Remi u informova për zhvillimin e ngjarjeve i tregova se brenda një ose dy javësh (arsyeja e dyjavshit; punoja mësues me nxënësit shqipëtar, klasat ishin të shpërndara gjithandej Kantonit të Cyrihut dhe nuk mund ti lëja nxënësit pa ua përgatitur librezat e notave. Pasi shpejtë e kreva këtë obligim dhe lash shoqen; Mejremen që të më zëvendsonte deri në mbarim të vitit shkollor-meskorrik), do të nisesha për Shqipëri dhe nga aty për Shalë të Bajgorës, ku asokohe ishin luftëtarët e Llapit. Fillimisht Remi më sugjeroi të mos nisesha; kam ushtar mjaftë - më tha ai. Më mirë do të më kryesh ndonjë punë andej nëpër Europë se ti ke pashaportë. Jo, e ndërpreva unë. Unë do të vi, sepse se marr me mend të luftohet në Kosovë e unë të qëndrojë jashtë Kosove. Pashaporta kanë të gjithë këtu që janë jashtë... Diku në mesqershor të vitit 1998 së bashku me Hamdi Mustafën dhe 150 mijë (njëqindepesdhjetmijë marka të tubuara në shoqatë, u nisëm dhe mbrrim në Tiranë. E takuam përfaqësuesin e Remit, Naim Haziri - Dilaverin, të cilit ia dorzuam të hollatë. Ato ditë në Tiranë përmes Maqedonisë kishte ardh edhe vëllai Isufi. Pas katër ditësh qëndrimi në Tiranë, pas mesnate nga Durrësi (shtëpia e UCK-së, të cilën e udhëhiqte Florim Gashi) dhjetra e dhjetra ushtarë me furgonë u nisëm për në veri të Shqipërisë. Pas tre -katër ditësh qëndrimi në lokalet dhe oborrin e shkollës së Hoxhajve, ku nuk kishte ndonjë rregull e diciplinë, ku thanë: ”njëri nga ky fshat e ka ndalur ujin i cili kalon nëpër pronën e tij dhe do duhej të rridhte deri në objektin shkollor”, ku në oborr flinim s`bashku me kuaj, ku gjithandej rreth shkollës e kishim bërë pis pa i ndërtuar ca wc me gropa e dushk, që kishte gjithandej, ku ushqeheshim me margarin edhepse ishte vapë e madhe dhe kishte mundësi, që në Bajramcurr të bliheshin ca kazanë në të cilët do të zihej ushqimi i cili do të ishte shumë më i lirë dhe shumë më i ushqyeshëm e më i shëndetshëm. Mund të blihej nga fshatarët pasuli, patatja e shumë zarzavate tjera, sepse kuzhinjer kishte me bollëk të ardhur nga diaspora. Të gjitha këto mund të bëheshin shumë lehtë dhe shpejt me një organizim të vogël. Të gjitha këto ia thash - sugjerova udhëheqësit të asaj lloj kazerme Rugoves, kështu e quanin atfarë djali. Mirëpo, ai u “arsyetua”, se ai fshatari nuk na e liron rrjedhën e ujit. Po, jepni 300 - 400 marka dhe ai jo vetëm se do e liroj rrjedhën e ujit, por edhe do të vi të ndihmojë - i thash udhëheqësit...., mirëpo nga kjo s`doli gjë. Ndejta tri-katër ditë derisa u armatosën ushtarët, kolona diku rreth 500 - 600 vetësh nën udhëheqjen e Komandant Rrahman Ramës kaloi kufirin dhe hymë në Kosovë. Udhëtuam tërë natën. Rruga ishte shumë e vështirë. Kisha ngarkesë të madhe. Përpos rraqeve të mia kisha marr komplet një sandëk metali me fishek, automatikun dhe tre Kg. trotil të cilat mi kishte ndarë Bekim Shuti. Me të mbrri në Gjocaj, sigurisht u vrejtëm nga armiqët dhe me të madhe filloj granatimi. Me qindra minahedhës u derdhen në Gjocaj. Fatbardhësisht nuk patëm humbje. Nëpër granatime, i ndarë nga të tjerët, arrita deri në luginën e lumit Erenik. Isha tepër i lodhur. E dija se po fjeta nuk do zgjohem gjatë. Nuk e dija ku jam, jam edhe më tej në zonë të kontrolluar nga tanët apo jo. Rrija rrënëz mali pa guxuar të dalë krejtësisht poshtë për t`iu gjuar lumit e për t`u frskuar pas gjithë ati rrugëtimi të lodhëshëm. Ashtu duke i mbajtur sytë me gishtërinjë, pa e ditur se në ç`anë i bie Juniku; lumit lartë apo rrjedhës poshtë, vrej një ushtar me pushkë në krah, si Qerqiz Topulli, ngjitet buz lumit. Është i yni, apo.. Pozicionohem. Gishti në këmbëz. Ndal, cili je..., ishte ushtari i UCK-së, arsimtari i historisë Avdyl Gjocaj, i cili pasi u përshëndetëm e u njohëm më dha kënaqësinë të freskohesha në lum. Avdyli edhepse ishte nisur për në shtëpi, u këthye dhe më shoqëroi deri në Shtabin e Junikut. Aty e takova me Lum Haxhiun, të cilin e kisha njohur më herët në Zvicër. Aty e njoha edhe të madhin dhe të pakrahasueshmin Bekim Berisha dhe Bedri Shalën, i cili ditën e parë kur mbrriva në Junikë më pati thënë: ”nuk këthehem në Drenicë pa ua marr shkieve një tenkë”, dhe vërtet duke shkuar ta rrëmbej tenkën ai ra heroikisht. Ra për të mos vdekur kurr. Të nesërmen më caktuan për lagjen Berishë të Junikut. Në këtë lagje shokë të dhomës i pata Ing. Sabit Gashin - ish i dënuar politikë dhe Shpëtimin nga rrethi i Suharekës. Pasi Juniku ishte i rrethuar patkua dhe nuk munda të depërtoj tutje drejt Llapit, aty kreva të gjitha detyrat e ushtarit të diciplinuar. Organizimi dhe diciplina ishin pothuajse si në të gjithë Kosovën. Ushtri e formuar në vrapim e sipër. Udhëhiqnin njerzit e duhur, trajtoheshin drejt e si duhet njerzit e dëshmuar, apo emrimet bëheshin krejtësisht në baza klanore mbetet për t`u hulumtuar e studiuar. Në këtë periudh Juniku bombardohej fortë nga suka e Biteshit - thoshin junikasit, por edhe nga pozita tjera të larta që i kishte zënë ushtria serbe. Armët e tyre të rënda parreshtur villnin zjarr mbi Junikun. Edhe ne qëndronim fortë. Nuk jipeshim. Ata bombardonin nga larg, por në asnjë mënyrë nuk ua mbante të mësyn për ta pushtuar Junikun. Juniku isht një barikadë e pakalueshme për ta, ishte një bunker i fortë, i cili edhepse me armë të lehta me guximin e ushtarve tanë ua bënte të pamundur lëvizjen përpara forcave serbe. Ne ushtarët e caktuar në laxhen Berishë, bënim roje në atë anë nga thuhej se ishte Glogjani. Skaj rrugës ishte hapur një kanal i thellë rreth 1.5 m. dhe i gjatë disa dhjetra metra. Aty ishin ndërtuar edhe dy bunker. Njëri ishte i përgatitur për dhjetë njerëz, derisa tjetëri për tre-katër veta. Tutje dy kilometra, në atë luginë mes kodrash ishin pozicionuar dhjetra tanksa të ushtrisë serbe. Me rënjen e Bekim Berishës-Abejt dhe Bedri Shalës paksa ra morali. Por edhe Juniku tashmë ashtu i rrethuar, më nuk mund të ishte vend transit për trupa e armë për më tutje drejtë pjesve tjera të Kosovës, kështuqë mbajtja e mëtejme e Junikut (sa për krenari) vetëm na shkaktonte humbje në trupa e materiale teknike. Shtabi i Junikut kishte pru vendim që ushtria dhe një pjesë e popullit të mbetur të tërhiqeshim në Shqipëri. Komandanti i Junikut Aziz Hyseni-oficer karriere, i arbanashve të Gllamnikut të Podujevës me vështërsi e dhimbje e kishte pranuar këtë vendim. Në Junik patën ngelur vetëm 12-13 pleq e plaka të cilët në asnjë mënyrë nuk pranonin ta lëshonin vendin-Junikun. Në tërheqje nga Juniku këmbët më qenë lënduar shumë, sa po të mos më ndihmonin eprorët e mi Ukë Goçaj dhe Haxhë e Shkëlzen Cestaj (junikas), do të ngelesha i humbur diku maleve. Meqë me atë gjendje munda disi ngadalë të ecja, por në asnjë mënyrë të ecja normal, e kurrsesi të vrapoja, u ktheva në Zvicër. Pas përmirësimit të gjendjes sime, u përgatita sërish për t`u kthyer në front, por dua të theksoj: dëshiroja të shkoja në Llap. Aty isha lindur e rritur, aty njihja njerëzit, aty njihja shtigjet. Ma mirrte mendja se atje kontributi im do të ishte më i madh se gjetiu. Meqë në vazhdimësi mbaja kontakte telefonike me komandant Remin, i kërkova të më siguronte disi një lidhje dhe të më përcillte deri atje, në mënyrë që të mos mbetesha rrugëve.
- Duhet të presësh një javë, më tha Remi.
- Pas një jave, sërish e mora në telefon. Duhet pritur edhe një javë - më tha ai.
Pas një jave e mora sërish në telefon.
- Edhe shqiponjë po të jesh, nuk ka mundësi të mbërrish në Llap, më tha ai!
- Sikur nuk po duan që ti të shkosh atje, më tha shoqja ime Mejremi...
 
Pyetje: Fehmi, çfarë planifikoni tash, në këto rrethana, a mendoni të ktheheni në Kosovë?
F.Berisha: Hë. Domosdoshmëri kjo. Por, serbët na i dogjën shtëpitë me të gjitha gjërat përcjellëse. Meqë të gjitha këto vite në kurbet “nuk isha i mençur” t’i shikoja vetëm interesat e mia, mungojnë mjetet për të ndërtuar shtëpitë në truallin në Podujevë. Tani familjet tona ( imja, Isufit dhe Bahredinit) janë shtuar, kështu që…. Por edhe gjendja në Kosovë…, ju e shihni sa vështirë është të sigurohen vendet e punës, e ne të ardhura të tjera për mbijetesë nuk kemi. Tani pas dëbimit të forcave serbe nga Kosova, përpiqem të bëj diçka për të ndërtuar, por vështirë ecën. Jam paksa i habitur me strukturat komunale; edhe pse shtëpitë tona nga serbët u dogjën totalisht, edhe me asnjë të vetmen tjegull nuk na ndihmuan, përkundrazi ato shumë herë dërguan inspektorët e ndërtimit për të na ndaluar ndërtimin, sepse: “nuk keni leje ndërtimi” thoshin! Po mirë mor të uruar, po na jepni lejen e ndërtimit, sepse këtu shtëpi banimi kanë qenë tash e 50 vjet, pastaj ne nuk kemi tjetër truall... Kot. Drejtori i urbanizmit nuk më dha leje ndërtimi. Ne shtëpinë e ngritëm deri në kulm në të “zezë”. Do shohim si do bëhet. Edhe përkundër vështirësive, mendoj që porsa ta kem kryer shtëpinë, urgjentisht do të kthehemi.
 
Pyetje: Tash në Kosovën e Pavarur, Sa u sendërtuan synimet tuaja?
F.Berisha: Jo jo jo, synimet tona fare nuk u sendërtuan. Ishim të ndarë në tre pjesë, tash jemi të ndarë në gjashtë. Ne, brezin e viteve `81 na udhëheqnin idealet dhe synuam shumë më lartë, mirëpo si kolektiv nuk qemë në nivel dhe gjërat morën rrjedh tjetër nga ajo që synonim ne;Bashkimin e trojeve shqiptare. Mjerisht, LDK-ja e stërmbushur me udbash, për dhjet vite e përgjumën popullin. Si rezultat i tyre populli nuk e përkrahu luftën masivisht. U muar vesh, udhëheqësia - Kryesia e LDK-së nuk e priti i pari të mbramin duke ikur. Nuk e përkrahën, sepse ishin pa ideale dhe pa moral, të cilin i ashtuquajturi lidership ua kishte rrafshuar me tokë. Meqenëse nuk fituam vetë, por erdhen NATO’ja të na” ndihmojnë” tash duhet paguar çmimin edhe njëherëë. Sërish po rindahet Shqipëria (trojet shqipëtare). Që nga konferenca e Rambujesë lidershipi shqiptar bëri politikë servile e shumë të gabuar. Apsolutisht pranuan aq sa u dhanë të tjerët. Njejt vazhdojnë të veprojnë edhe sot! Me Karagjozllëqe nuk formohet shteti e fatkeqësisht në Kosovë e Shqipëri karagjozët vendës dhe Mafia Ndërkombtare veprojnë marë e mbrapsht. Disa shokë të mi të rrugtimit të përbashkët ”arsyetohen”; s`qe e mundur ndryshe. Po u tërhoqëm ne LDK-ja menzi që pret. Shih ti gazetarucët e djeshëm që përgjithësisht ishin anëtar të devotshëm të LKK-së, e cila ishte edhe më e keqe se LKJ, që është e mundur ende i ruajnë teseret e Partisë, sot na janë bërë ”demokrat” e “patriot” dhe çdo të dytën fjali e kanë kundër Enver Hoxhës dhe kundër pushtetarve të krahut të luftës. Të shkruash sot kundër Enver Hoxhës është privilegj. Këta mjeranë janë mësuar në kohën e Titos të vrapojnë pas privilegjeve. Dje shkruanin çfarë u kërkohej, sot shkruajnë çfarë u kërkohet. Shikoni vetëm gazetën fashiste “Bota Sotë”. Të gjitha gazetat e Beogradit së bashku nuk bëjnë për ndarjen e ngatrrimin e shqipëtarve në mes vedi sa bënë kjo gazetë vetëm, e cila paturpësisht veten e quan kombëtare dhe profesioniste. Profesioniste po, por e makiavellizmit. Nuk munden titistët e djeshëm dhe shërbëtorët e LKK-së të jen ndryshe. Të tillët sot Enver Hoxhën e quajnë titist. NO COMENT. Fatkeqësisht nuk mundëm të fitojmë vetë dhe ta qërojmë këtë farë të flliqtë, të cilën tash e përkrah dhe ndihmon padroni i ri; mafia ndërkombtare. Dhe qëllimi i të dyave bashk është që të zhdukin gjithçka që është shqipëtare dhe të krijojnë një shtet magjup kosovar, me një gjuhë magjupkosovare. Pra, ne po ecim kundër rrjedhave të historisë. Kjo do na shpie shpejtë në theqafje. Derisa armiqët shekullor Serbia e Greqia na rrethojnë çdo ditë me kazerma ushtarake, lidershipi jonë, si në Shqipëri si në Kosovë vazhdojnë ta ushqejnë popullin me gnjeshtra e pollavra për njëfarë bashkimi europian, bashkim i cili kurr nuk do të jetësohet, nuk do funksionojë. U bëmë tepër të dëgjueshëm; shpërbëmë UCK-në, Ushtria e Shqipërisë nga tetdhjetetremijë ushtary u reduktua në gjashtë-
mbëdhjetmijë, i dorzuam edhe ato pakë armë që mezi i sollëm nga Shqipëria dhe mbrojtjen e lamë plotësisht në njerëz të huaj. Kushneri, të cilit i brohoriste masa e lajthitur shqipëtare, na e ndau Kosovën. Gjithnjë duke i lavdruar dhe duke u buzqeshur shqipëtarve, e tërhoqi kufirin në urën e Ibrit, bëri hapin e parë zyrtar për atë që herët, pa filluar bombardimet, ishin marr vesh për ndarjen e Kosovës. Kermabo do ta legjitimoj atë ndarje. Lidershipi shtyhen në mes vedi kush kafshon më shumë atdheun dhe kush bëhet më servil e më i dëgjueshëm para të huajve, sepse kështu ua do interesi i karrigave - pushtetit, i cili u sjell shumë pasuri e privilegje. Këta karagjoz titoist e LKK-ist kanë shkatrruar arsimin, kanë shkatrruar e shtri përtokë shëndetsinë, kanë mbushur me udbash sistemin e drejtësisë dhe e kanë deformuar atë, kanë deformuar qendrat televizive, të cilat turprohesh t`i shikosh, kanë bastardhuar gjuhën deri në atë masë, sa edhe ndoj ditë dhe më s`do dihet se si flasim dhe çfarë gjuhe flasim. Ky popull jeton në terr, lloq e varfëri të madhe dhe nuk sheh asnjë përspektivë. Krejt kjo qonë ujë në mulli të Serbisë e cila blen kohë dhe pret momentin. Thjeshtë sotë me mend në kokë janë vetëm ALBIN KURTI dhe ithtarët e tij. Mirëpo, siç po duket ai përkrahet pakë. Ky popull i përgjumur e të cilit i mungon buka vështirë t`i bie ndërmend për djath, vështirë të lëviz. Tipat si Matoshi-Kelmendi e Spahiu e bëjnë punën e vetë të mbrapsht dhe për çudi altoparla-
ntëve të tyre çdo ditë e më shumë u jipet hapsirë mediatike. Unë një e di: Unioni Europian do të dështoi. Kush sheh pakë më larg e vren, që shpejt do të dështojë edhe kapitalizmi si sistem dhe ate duke filluar në Berlin e Paris ku fillimisht do të shpërthen klasa punëtore e pastaj me të shpejtë protestat do të zgjërohen gjithandej Europës. Kjo krizë ekonomike e cila e ka mbërthyer për fyti kapitalizmin nuk mund të përmirsohet. Kjo, përmes ca infuzioneve mund paksa të shtyhet, por të shërohet asnjëherëë. Do të gjindet një meso medel i tipit të socializmit të Norvegjisë e Suedisë dhe. Edhe Perandoria Amerikane gjithmonë nuk do të jetojë, sepse ardhmëria u takon shteteve të cilat ditën ta ruajnë familjen e këto janë shtetet e RACËS SË VERDHË. Shqiptarët duhet me ngutë të përgatiten Ushtarakisht, sepse ne do të detyrohemi ta bëjmë edhe një luftë totale me sllav, Shqipëria ose do jetë një e tërë ose nuk do jetë fare.
 
Pyetje: I respektuari Fehmi, ju falënderoj që folët aq sinqerisht për vitin e madh 1981. Dhatë shumë elemente të reja, që pasurojnë historinë tonë më të re.
F.Berisha: Ju faleminderit edhe juve. U përpoqa të pasqyroj një periudhë, duke u përqendruar në ngjarjet qenësore. Ju kërkoj falje të gjithë atyre, që për shkak të harresës nuk i kam përmendur.
 
Bisedën e zhvilloi: Fetah Sheholli - Cyrih, 11 Mars 2009
 
 
Datenschutzerklärung
Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!