Pjesa e IV’të
…. |
PJESA E TRETË
… |
PJESA E DYTË
….© Pashtriku.org |
Shpalime historike
|
Rrëfimi i qëndresës nëpër kazamatet jugosllave
ILMI MUZAQI: NË BURGUN E GOSPIQIT
TORTURAT ISHIN TË TMERRSHME!
![]()
Së pari do ta nisim punën me veprimtarin
Ilmi Muzaqi
Kush është Ilmi Muzaqi?
Ilmi Muzaqi u lind në fshatin Bruznik të komunës së Vushtrrisë, më 05. 02. 1945. Ai është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Veprimtaria e tij atdhetare filloi si i ri, sepse që atëherë kishte bindje të theksuara atdhetare. Ai kurrë s`pushoi së vepruari për të jetësuar idealet për ribashkimin e Shqipërisë së natyrshme, prandaj policia jugosllave e arrestonte, torturonte dhe më në fund e dënonte me burgim si shumë shqiptarë të tjerë.
![]() Sikur shumë familje atdhetare shqiptare ishte padyshim edhe familja e Ilmi Muzaqit, familje në tërësi e përkushtuar ndaj Atdheut, duke ruajtur të shenjtë frymëzimin e patjetërsueshëm se një ditë të gjithë shqiptarët do të bëhen pjesë e jetës së lirë në Shqipërinë etnike. Pa bashkimin e kombit nuk ka as jetë, as liri. Ky qëllim u bë pjesë e pandarë e kësaj familje, prandaj kishin luftuar kundër forcave pushtuese çetnike.
Familja Muzaqi ishte njëra ndër ato familje që ia kishte dhuruar djemtë e vetë luftës, ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare, me të vetmin qëllim për t`i çliruar viset e robëruara shqiptare dhe për t`i ribashkuar me shtetin shqiptar. Me këtë bindje bijtë e kësaj familje iu bashkëngjitën edhe radhëve të çetës të Shaban Palluzhës dhe iu përgjigjën thirrjes: “Kush është shqiptar t’i dalë zot Atdheut”. Kjo thirrje e preku në shpirt birin e Muzaqëve, Adem Muzaqi - Mixha i cili pahezituar fare ju bashkua çetave çlirimtare. Në saje të aktivitetit të tij bëhet njëri ndër komandantët në batalionin e Ortokollit. Kështu ju besua detyra e udhëheqjes dhe komandimit të një numri prej më shumë se 300 ushtarëve. Po përveç Mixhës që tashmë ishte bërë komandat, në këtë luftë në detyrën e rreshterit kishte qenë edhe babai i tij Ali Muzaqi. Kjo vazhdimësi atdhetare e kësaj familje u përcoll brez pas brezi.
Kështu më, 1981 del në skenë një figurë e re e kësaj familje po me të njëjtat ideale, që me atë shtytje shpirtërore e familjare, i cili edhe u bë njëri ndër nismëtarët e parë të demonstratave të vitit 1981 në Vushtrri. Ne duke parë se si figurat e ndërgjegjes disi po lihen anash, e ndonjëherë edhe përbuzen e braktisen, mendoj se dikush duhet të shkruajë për to, sepse edhe brezat e ardhshëm dhe shoqëria sotme duhet ta kuptojnë se pa lëvizjen e veprimtarinë atdhetare të atyre bijve të devotshëm të shqiptarizmës nuk do ta kishim sot aspak frymëmarrjen e lirë në Kosovë.
* * *
Pyetja: I nderuari I.Muzaqi më duket se politika e sotme disi gjeneratën tuaj atdhetare, atë më të hershmen e gjithashtu edhe më të vonshmen i ka lënë anash. Si do ta komentonit ju këtë?
I.Muzaqi:Natyrisht nuk pajtohem dhe s`do të pajtohem kurrë, sepse ne kemi qenë drejtpërsëdrejti pjesëmarrës aktiv në të gjitha situatat e ngjarjet e rëndësishme kombëtare, sidomos që nga viti 19981, ndoshta edhe udhërrëfyes, prandaj kjo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, pas Luftës së UÇK-ës, duke anashkaluar figurat e ndërgjegjes kombëtare më duket jo vetëm e çuditshme por edhe kriminale.
Pyetja: E sot, ku jemi !?
I.Muzaqi: Ne jemi përcaktuar për ta bërë Shqipërinë etnike, kurse ulëset nuk na bëjnë përshtypje, e as politika e sotme.
Pyetja: Mirë, po largohemi nga e sotmja e po fillojmë me vlugun e punës tuaj të rinisë. Na thoni se ç`ju shtyri të jeni i lidhur ngushtësisht me ngjarjet e 81-ës?
I.Muzaqi: Po u them shkurt për pjesën e parë të pyetjes: rinia ka qenë, është dhe do të jetë promotor i të gjitha ngjarjeve kombëtare. Natyrisht ky ideal i rinisë ende është i freskët në shpirt dhe besoj se derisa të jetësohet ribashkimi i Atdheut, veprimtaria e tyre nuk do të ndalet. E sa i përket pjesës së dytë të pyetjes mund t`ju them se shtytjet janë të mëdha, meqë edhe brezat e mëparshëm na kanë lënë trashëgim përpjekjet, veprimtarinë dhe luftën për liri e Shqipëri. Siç dihet botërisht ne jetonim të robëruar nga Serbia dhe ish Jugosllavia që kishin të qartë qëllimin e tyre për të na zhdukur si popull, prandaj, patjetër, gjaku i pastër shqiptar do të vepronte dhe do të bënte rezistencë aktive. Po sa i përket ngjarjeve të 11 dhe 26 marsit 1981 që ndodhën në Prishtinë, ishin sinjale të qarta që paralajmëronin zgjimin e popullit tonë nga mashtrimet jugosllave. Ndërsa dhuna e policisë ish jugosllave me brutalitetin fashist mbi studentët na shtyri që ne të mendojmë seriozisht se si të veprojmë më tutje, sepse tani më ishim të sigurt se kupa ishte mbushur dhe natyrshëm nuk durohej më dhuna.
Unë në atë kohë, isha në rrjedha dhe thuajse për shumë gjëra isha i informuar në hollësi, se si po zhvilloheshin ngjarjet në Prishtinë. Edhe më parë isha i lidhur ngushtësisht më 1979 -ën me disa shokë dhe veprimtarë të shquar të asaj kohe, pikërisht me: Ramadan Pllanën, Xhemajl Pllanën, Selim Pllanën, Shefqet Dibranin, me veprimtarin e shquar Osman Dumoshin, tanimë të ndjerë dhe me Sabri Novosellën. Me Sabriun kam pasur dy takime të rëndësishme në Prishtinë dhe në njërën nga fshatrat e Vushtrrisë, në Dumnicë. Në atë kohë Sabriu ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me veprimtarin e shquar Jusuf Gërvalla. Që ta them më qartë, pasi doli në skenë Hydajet Hyseni dhe mori mbi supet e veta drejtimin e demonstratës, për ne ishte më e lehtë veprimtaria, meqë tashmë e dinim se rruga e veprimtarisë dhe aktiviteteve atdhetare ishte edhe më e qartë. Kjo u pa më konkretisht më 1 prill1881 në demonstratën madhështore në Prishtinë. Pas këtyre ngjarjeve ne kemi filluar nëpër komuna të vepronim, të bënim organizime ta informonim popullin me kërkesat tona të asaj kohe kundër pushtuesit serbo-malazezo-maqedon.
Pyetja: Sipas të dhënave dhe sipas një vepre artistike, konkretisht sipas një drame që kam pasur rastin ta shohë në teatrin e Vushtrrisë, ju keni qenë personazhi kryesor i demonstratës në Vushtrri. A mund të na thoni diçka më shumë?
I.Muzaqi: Ndoshta nuk më takon mua të them se isha organizator kryesor, por që ta them të drejtën isha njëri ndër nxitësit kryesor, prandaj pa hezituar fare mora mbi supet e mia barrën e organizimit të demonstratës, meqë isha i motivuar për të vepruar dhe e dija se demonstrata do të kishte në tërë Kosovën. Unë ishte i vetëdijshëm se ishte e domosdoshme dhe moralisht e nevojshme t’iu dilnim në përkrahje studentëve dhe kërkesave të arsyeshme të tyre, prandaj iu futa veprimtarisë për organizimin e një demonstrate në Vushtrri. Më vonë më përkrahën trimërisht shokët e punës si: Jakup Shuti, Nebih Sejdiu, Bajram Latifi.
Me Jakup Shytin kemi qenë punëtorë të punishtës së Bukoshit të Vushtrrisë. Gjatë orarit të punës me Jakupin kemi biseduar për ngjarjet e Prishtinës. Unë e dija se është njeri i mirë dhe atdhetar, megjithatë isha i interesuar ta kuptoja mendimin e tij. Ai pa hezituar fare i pranoi mendimet e mia e më doli krah për organizimin e demonstratës në Vushtrri. Kështu më, 2 prill vendosëm të niseshim nga fshati Bukosh, i cili është diku afër dy kilometra e gjysmë nga Vushtrria. Pikërisht në ora dymbëdhjetë, atëherë kur është koha e drekës u nisëm të shkonim në punishten e armaturës e të bisedojmë me shokët tanë që punonin atje. Kjo nismë e jona për të demostruar u përkrah pamëdyshje nga punëtorët. U pajtuam gati të gjithë, që demonstrata të fillonte në ora 13,30 edhe pse pati zëra që kundërshtonin, por ama ishin të paktë.
Për të siguruar mbarëvajtjen e demonstratës sa më të mirë, meqë kisha marrë për sipër këtë organizimin, ndieja një përgjegjësi të madhe, prandaj i shikoja të gjitha rrugët e mundshme edhe të ndonjë dështimi a të ndonjë veprimi të pahijshëm. Ne dinim se në dalje të punishtes tek porta qëndronte një person si roje me një pushkë M 48. Duke dyshuar se mos rojtari do të shtinte me armë, vendosa fillimisht të bisedoja me të dhe të bindesha se a është i pajisur me municion. Pasi bisedova me të afërsisht 15 minuta, kuptova se ai nuk kishte fare municion. Por, edhe tha se edhe po të kishte municion nuk do ta shtinte kurrë mbi qytetarët e njerëzit e popullit të vet, prandaj u siguruam që të mos kishin merak fare nga ai. Më pas u ktheva me besim tek shokët dhe morëm vendimin që aty t’ia fillonim demonstrimit dhe ashtu ndodhi. Pa u hamendur vazhduam rrugën deri te shkolla e Mesme “Muharrem Bekteshi”
Pyetja: I nderuari Ilmi, pse u nisët drejt shkollës, a kishit qëllim që edhe nxënësit t’i përfshini në demonstratë!?
I.Muzaqi: Jo, ky nuk ishte qëllimi ynë, por ne mësuam se në shkollë ishte mbledhja e anëtarëve të kryesisë së Komitetit Krahinor dhe ne mendonim që t’ju drejtoheshim edhe atyre me kërkesat tona të arsyeshme të asaj kohe. Po me të shkuar në oborrin e shkollës doli ish kryetari, tashmë i ndjeri Isak Merovci, i cili më njihte mirë, pasi ishte edhe mik i familjes sonë dhe mu drejtua me këto fjalë: “Ilmi ju lutem, ta ndërprisni demonstratën, sepse jemi në mbledhjen e partisë, me anëtarët e Komitetit Krahinor”. Ndërsa përgjigjja jonë ishte: “Demonstratat nuk i ndalojmë për hatër të askujt dhe mu për këtë arsye kërkesat tona do të jenë edhe më të fuqishme që t’ua tërheqim vërejtjen komitetlinjve se ç`po ndodh me popullin tonë”.
Derisa zgjati kjo bisedë nxënësit e vitit të katërt që mbanin gjuhë dhe letërsi shqipe rrufeshëm ju bashkëngjitën demonstratave, bile-bile ata u bënë aq të shkathtë ku në çdo pjesë të qytetit organizonin dhe mblidhnin njerëz në përkrahje të demonstratës që tashmë veç kishte filluar. Pas këtij hovi demonstruesit bindshëm filluan marshimin drejt qendrës së qytetit. Kur policia vuri re organizimin tonë të fuqishëm dhe pasi e pa turmën e madhe, i zuri frika. Ata ndërmorën një ofensivë të egër. Fillimisht nisën të barrikadoheshin te posta dhe hidhnin bomba me gaz lotsjellës. Pasiqë një ngushticë ishte në favor të policisë, dhunshëm u detyruam të ndahemi në grupe dhe të shkonim në pjesë të tjera. Por pas barrikadës së policisë, demonstruesit e revoltuar bllokuan rrugën Mitrovicë-Prishtinë, e më pas një pjesë e demonstruesve i drejtohet fabrikës së ngjyrës “Ekstra”. Demonstratës iu bashkangjiten punëtorët e kësaj firme, më vonë edhe punëtorët e një firme tjetër të quatur “Polet”.
Dua të theksoj mbi të gjitha, se në mesin e punëtorëve të firmës “Polet” ishte një vajzë trimëreshë e cila quhet Dinore Curri, që me trimërinë dhe guximin e saj, po edhe me oratorinë e zërin e zjarrtë, arriti që t’i fuste të gjithë punëtorët e organizatës së saj në demonstratë, pasi që edhe shumica ishin femra. Në këtë kohë Vushtrrinë rreth e përqark e mbuloi zëri i arsyes, zëri demonstruesve.´
Pyetja: Pasi mbaroi demonstrata në Vushtrri, ju si organizator, si i vlerësuat këto dhe a burgosën polcia njerëz?
I.Muzaqi: T`ju them të drejtën demonstrata në Vushtrri ishte aq shumë e suksesshme saqë ashtu me atë gatishmëri, me atë vrull dhe madhështi nuk e kishim menduar se do të ndodhte. Gjatë demonstrimit pati për fat të keq edhe të 2 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Ishte edhe një befasi e madhe për policinë: demonstrimi ishte madhështor, meqë zyrtarët e asaj kohe madje nuk kishin pasur bindje se në Vushtrri do të ndodhnin demonstrata, pasiqë ishin forcat e mëdha policore. Por, megjithëkëtë bijtë dhe bijat e popullit heroik shqiptar edhe në Vushtri treguan gjallërinë e dhe madhështinë e qenies shqiptare. Për ne ishte një fitore e madhe, meqë bindëm masën e gjerë popullore të protestonte kundër dhunës së atëhershme të ish-Jugosllavisë. Ndërsa burgosjet ishin të pritura si në tërë Kosovën edhe në Vushtrri. Megjithatë, për mua ishte një befasi, takimi që pata me një polic të cilin e quajnë, Enver Skoshnja. Atë e njihja prej një kohe shumë të gjatë dhe ndër të tjera më tha: “Të keni kujdes! Ti je në shënjestër të policisë. Të jeni të sigurt se do t’ju arrestojnë”. Për mua mbi të gjitha kishte vlerë që demonstratat të organizoheshin mirë dhe të ishin të e suksesshme. Ne ishim të vetëdijshëm, se policia ndonjërin nga ne, do ta burgosnin, por kjo s`kishte rëndësi, sepse ne ishim të gatshëm të sakrifikoheshim. Për fat të keq, në atë botë të shthurur më nuk ishin vetëm uniformat e policisë dhe ushtrisë pushtuese që peshonin tepër rëndë mbi tokën dhe popullin shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish Jugosllavinë e atëhershme, por edhe disa lugetër shqiptarë të zhytur në ndyrësinë tradhtisë si: pedagogu Sylejmon Magjuni, të cilët edhe i zunë frymën nënqiellit shqiptar. Ky njeri i shëmtuar me helmin e tradhtisë ishte njëri ndër më aktivistët për spiunim, njëri ndër bashkëpunëtorët e UDB-ës, të cilin e vura re në gjykatore. Ai kishte ardhur gjoja si dëshmitar në proceset e gjykimit për të paraqitur sa më shumë të “dhëna”, në fakt për të shpifur sa më shumë vetëm e vetëm që të na dënonin sa ma shumë në atë gjyq jugosllav. Këtë shëmtirë tradhtare e takova më vonë pas 10 viteve, i cili kishte qëndruar gjithnjë po në të njëjtin pozicion: besnik i UDB-ës, dhe mbrojtës i denjë i politikës serbe. Ai qe edhe në atë kohë gjoja si dëshmitar se kinse në Kosovë po bëhen skenarë të helmimeve të nxënësve nga nacionalistët shqiptarë etj. Helmime këto që në vërtetë policia sebe i bëri për të shuar jetërat e fëmijëve shqiptarë. Më vonë u dëshmua se ky lloj helmimi kishte ardhur nga Izraeli. Për fat të keq këtë tradhtar e kam parë edhe pas luftës heroike të UÇK-ës, dhe për çudi ai punonte përsëri si pedagog. Kjo mund të ndodhë vetëm në këtë lloj katrahure politike si në Kosovë.
Pyetje: I nderuri Ilmi juve ju arrestuan dhe a pati arrestime tjera?
I.Muzaqi: Po, po, ka pasur arrestime të shumta. Mua me dhjetëra të tjerë si: J.Shytin, Nebih Sejdiun, Bajram Latifin, Nazmi Popovën, Beslim Bajramin, Bali Dervishin, Dinore Currin, dhe shumë e shumë të tjerë, na arrestuan.
Pyetja: Kur dhe ku ju arrestuan si dhe në cilin burg ju dërguan?
I.Muzaqi: Më arrestuan në fshatin e lindjes me 8 prill 1981. Pastaj më dërguan në burgun e Qarkut të Mitrovicës, më vonë në Gospiq të Kroacisë. Në fakt këto qenë internime. Kështu internim pas internimi kalova edhe në Lepogllavë, Staragradisht, Gospiq. Në Lepogllavë më izoluan me një kroat i cili quhet Bagiq. Ai tani është ministër në Kroaci.
Pyetja: Ju të gjitha këto burgje i kaluat, po ç`mund të na thoni më tutje? Për hir të së vërtetës është e domosdoshme të dijë populli se ç`kanë përjetuar njerëzit e ndërgjegjes nëpër burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë?
I.Muzaqi: Për ne, shqiptarët, burgu tashmë ishte bërë një gjë normale, por ajo që na mundonte ishin shpifjet që bëheshin dhe burgosjet e të rinjve pa kurrfarë arsye, vetëm e vetëm për arsye të përkatësisë shqiptare. Ajo më e keqja ishte që na visheshin veprime të cilat nuk kishin ndodhur, e kjo bëhej qëllimisht për të na diskretituar në popull dhe për të gjetur elemente që të na dënonin me vite të tëra dhe të rënda që të vuanim sa më shumë në burgje . Ligjet i interpretonin siç donin. Është famëkeq neni i ashtuquajtur 114, në bazë të të cilit na denonin gjoja për kundërrevolucion. Qëllimet tona ishin të njohura në bazë të kërkesave që dolën në tërë Kosovën, dhe kjo nuk kishte të bënte asgjë me kundër- revolucionin. Për të qenë sa më realist duhet ta themi vërtetën e hidhur e tragjike, se nëpër këto burgje rinia shqiptare përjetoi tmerrin e paparë. Ndoshta vetëm në kohën e inkuizicionit, mund të ketë pasur një tmerr të tillë.
Keqtrajtimet që bëheshin nëpër hetuesitë barbare jugosllave linin dëshmi edhe në muret e përgjakura të burgjeve. Më kujtohen hijet e rënda: udbashët e shëmtuar, kriminelë siç janë Burhan Prishtina, Mirosllav Milic nga Gojbula e shumë e shumë të tjerë, të cilët jo vetëm bënin krime, por paraqiteshin edhe si hije tmerri edhe në pikëpamje psikologjike.
Për fat të keq këso hije të zeza ka pasur shumë, por numri i tyre më i madh në Kosovë ishte i përbërë nga shpirtshiturit shqiptarë. Njëri prej tyre që më ka ngelur në kujtesë më shumë njëfarë Ismet Gashi nga fshati Kryshefc i cili dhelpërisht i mbrojtur nga serbët, na qëllonte neve të arrestuarve me kondakë të pushkës, në kohën kur na çonin drejt burgut. Por këtyre krimeve nuk ju bashkangjiten gardianët e ndershëm, të cilët e kanë pasur shumë vështirë t’i shikonin të gjitha këto, sepse e ndienin me shpirt vuajtjen që përjetonim ne. Ata nuk mund të na ndihmonin gati asnjëherë, por ka pasur momente kur kanë gjetur mundësi të na ndihmonin.
Pyetja: Pasi përfundoi procesi i hetimeve ç`ndodhi me juve?
I.Muzaqi: Mua më dënuan me 10 vite burg të rëndë. E poashtu edhe shokët e mi i denuan më, 26 apo 27 nëntor. Para transferimit diku në orët e mbrëmjes mësova nga dy gardianë se për ne po përgatitej një skenë e tmerrshme. Në tërë Kosovën kishin dalë ca afishe të “Komitetit të Maleve” dhe nga frika udbashët kishin organizuar të na çonin në një internim shumë sekret. Por meqë këta dy gardianë i njihja dhe këta kishin besim tek unë, më treguan se diçka e keqe do të ndodhte me neve. Lajmin e mora nga të dy veç e veç. Unë e kuptoja se diçka po ndodhte, por sidomos sipas Skender Koprivës po përgatitej një gjendje e mundshme për transferim. Të nesërmen në mëngjes herët, na nisën për të na transferuar. Fatmirësisht këta dy gardianë që i njihja na shoqëruan deri në burgun e Prishtinës. Skënder Kopriva nga eprorët e tij kishte marrë vërejtje kërcënuese, për arsye se nuk na i shtrëngoi prangat. Por ai ju është përgjigjur atyre : “- Unë e di mirë punën time, madje për këtë e kam edhe rregulloren.” Ajo gjendje, për të cilën më kishin paralajmëruar gardianët shqiptar, sapo kishte filluar në momentin, kur po na dorëzonin tek policët serbo-maqedono, kroato-malazezë, sllovenë e boshnjakë. Këto përbërje forcash policore shumënacionale paprejashtim ishin kriminale e njëkohësisht barbare. Në momentin kur na dorëzuan dy gardianët shqiptarë tek këto forca kriminale policore, vumë re fytyrat e Skënderit dhe shokut të tij gardian, se qenë zbehur dhe dukej qartë edhe një keqardhje e madhe tyre, meqë u detyruan të na linin në duart e xhelatëve. Dallimi në mes të këtyre gardianëve shqiptarë me punëtorët e sigurimit krahinor ishte i madh, sepse këta punëtorë të Sigurimit Krahinor dukeshin se i kanë fytyrat kriminale njëlloj siç i kishin edhe forcat policore shumënacionale jugosllave. Sigurisht me këshillat e këtyre punëtorëve të Sigurimit Krahinorë, policët kriminelë mua dhe shokët e shumtë, që na kishin arrestuar na trajtonin si skllevër, duke na lidhur me zinxhir e me pranga nga 3 - 4 apo edhe më shumë veta së bashku dhe duke na torturuar mizorisht.
Pyetja: Inderuari Muzaqi po e shoh se ju tregoni një skenë tamam sikur të atyre filmave të Holivudit, por njëkohësisht shoh në fytyrën tuaj një dhimbje të madhe, keni vështirësi ta rrëfeni apo ç`po ndodh?
I.Muzaqi: Është e vërtetë, një përkujtim i tillë është rrënqethës. Po njeriut i ndodh ta harrojë veten e të mendojë për shokun. Megjithëkëtë do ta rrëfej tërë historinë, atë histori të dhimbshme e mizore që është e shkruar me vuajtjet tona me gjakun tonë. Mund të filloj nga momenti kur na vendosën në makinat policore të ashtuquajturit pizgauer. Mbasi na futën në ato makina, na lidhën me pranga. Mua më lidhën bashkë me një atdhetar, me të nderuarin Avdi Latifi, tanimë i ndjerë.
Këtë nuk e di a e bënë me qëllim, apo rastësisht, por mendja sot e asaj dite më thotë se ishte krejtësisht e paramenduar. Në atë automjet ku isha unë, bëheshim rreth 22 veta dhe qëndruam ashtu pa lëvizur 2 orë. Aty ku ishim dhe ashtu siç ishim nuk kishte as ajër të pastër, pra oksigjeni nuk ishte i mjaftueshëm, prandaj Avdi Latifi i mëshoi me këmbë dyerve. Pas një kohe të shkurtër e hapën derën egërsirat policore dhe për pak kohë e mbyllën, por për aq kohë të shkurtër na shanin pandërprerë. Më pas kuptuam se makina po lëvizte. Pas një rrugëtimi të gjatë, gjashtë orësh, kur ndaluam, kuptuam se ishim në Beograd. Në këtë kohë qëndrimi, policët e tërbuar na qëllonin me grushte dhe shkelma. Në orët e para të mëngjesit arritëm në burgun famëkeq të Gospiqit në Kroaci.
Skenat ishin të tmerrshme, ndoshta nuk po e teproj, tani që po i tregoj, meqë edhe ju jeni këmbëngulës për ta zbuluar të vërtetën dhe tmerrin e të burgosurit. Ne zbritëm nga ato automjete policore si zogj të humbur në mjegull. U bëmë rreth 43 veta, por afërsisht gjysma mbetëm shkallëve, ndërsa gjysmën tjetër i detyruan të zhvishen lakuriq. Më vonë na çuan mua dhe Avdiun të lidhur deri tek grilat. Na çuan edhe për t`i parë shokët e zhveshur të cilët i rrihnin me shkelma, grusht e shufra gome. Kjo ngjarje ishte e tmerrshme, sepse ne e përjetonim shpirtërisht. Aty ishte edhe një burrë invalid i cili quhet Sadik Sadiku nga Ferizaji dhe të cilin nuk e kursyen aspak. Pas torturave që i ushtruan mbi shokët tanë, në radhë na futën edhe neve, por Avdiun e torturuan më shumë, sepse gardianët e kishin halë në sy, pasi që nipi i tij e kishte vrarë një serb nga fshati Repë i cili kishte qenë kadet ushtarak.
Po fati ishte i çuditshëm, me Abdiun më futën në një qeli. Ne e dinim që një pjesë të jetës do ta kalonim aty, por gjithnjë na mbante shpresa se do të mbahemi të fortë. Avdiun vazhdonin ta torturonin mizorisht madje e linin edhe pa vetëdije. Në një moment me dhimbje të madhe në shpirt e pyeta se ç`po ndodhte ashtu dhe pse e torturonin kaq shumë.
Ai ma ktheu me një buzëqeshje të shkrumbuar:
- Më kanë halë në sy këta katilë.
- Po këtë e kuptoj, se të gjithëve na kanë halë në sy, po ty janë duke të torturuar më shumë se ne të tjerëve, - i thashë atij
- Po është e vërtetë. Ndoshta ke dëgjuar për vrasjen e një kadeti ushtarak serb të Repës?
- Po! - ja ktheva.
- Tafili, djali i vëllait tim, e ka vrarë atë serb dhe tash janë në një ofensivë hakmarrjeje dhe siç e shikon po më torturojnë sa shpirtin duan të ma marrin! Ç`është e vërteta të gjithë gardianët janë të informuar mirë për atë ngjarje.
Ishte një kohë prej 12 ditësh që luftoja me vetveten, meqë mbi Avdiun ushtronin tortura të llahtarshme, ndërsa mua më lanë të shikoja me një qëllim të caktuar: vetëm e vetëm që të tmerrohesha sa më shumë dhe pastaj të merreshin edhe me mua. E shikoja dhe më vinte keq për të, ndërsa mendoja se ç`do të ndodhte me mua? Nga disa shenja më krijohej përshtypja se edhe mua do të më akuzonin si bashkëpunëtor i tyre.
Edhe për mua si dhe për pjesën tjetër të të burgosurve do të fillonin torturat e llahtarshme. Mora vendim që të bëjë diçka që kjo dhunë të paktën të mos binte. Kërkova një bisedë me drejtorin e burgut për t`i treguar dhunën dhe tmerrin e llahtarshëm që ushtronin mbi neve. Pasi e informova drejtorin e burgut për të gjitha këto, filloi një fushatë tjetër torturash prej të cilave nuk përjashtohej as A.Latifi. Ai me një urrejtje të madhe, drejtorit të burgut ia hedhte barnat duke i thënë: “- Pse mi sillni barnat, kur ju ushtroni dhunë mbi ne si bisha”.
Pyetja: I nderuar Ilmi ju tashmë në burgun famëkeq të Gospiqit, përjetuat atë që ne mund ta shohim vetëm nëpër filma. Sipas disa shokëve, kemi të dhëna se ju keni qenë një shtyllë mbrojtëse e të burgosurve, edhe pse ju keni bërë si individ. Ju gjithnjë keni ngritur zërin ndaj dhunës. A mund të na veçoni një ngjarje prej gjithë atyre ndodhive të tmerrshme? Pastaj a mund të rrëfeni se ç`ndodhi me grupin e dytë në pranverën e vitit 1982 kur i arrestuan? Si u takuat me zëvendëssekretarin e jurisprudencës kroate?
I.Muzaqi: Diku në pranverë të vitit 1982 u sollën edhe një grup të rinjsh nga Kosova në burgun e Gospiqit, po me të njëjtat akuza si edhe grupin e parë në pranverë të vitit 1981. Njësoj i torturonin siç na kishin torturuar edhe neve. Ne e dinim mirë se ç`përjetonin ata të rinj. Gjëma dhe britma e tyre edhe të vdekurit i ngrinte në këmbë. Nuk mund të duroja më. Vendosëm bashkë me Bislim Bajramin, Nazmi Shaqirin të ju dilnim në mbrojtje të rinjve shqiptarë, duke llogaritur çfarëdo çmimi që do ta paguanim. Ne e dinim se do të na vërsuleshin neve, por ne ishim mësuar me dhunën e egër, prandaj edhe nuk frikësoheshim. Unë e kam thirrur gardianin. Pasi ai erdhi, menjëherë kërkova takim me drejtorin e burgut. Çuditërisht drejtori i burgut erdhi menjëherë. Sa erdhi dhe drejtori i kam kërkuar të vijë dikush nga jurisprudenca kroate me qëllim që të bisedoj me ne dhe për së afërmi të njihet me informacionet për dhunën e temershme që po ushtrohej ndaj të rinjve shqiptarë, ose në të kundërtën i thamë atij se do të hidheshim në grevë urie. Natyrisht ne ishim shumë të vendosur të bënim në grevë urie.
Me t`i dëgjuar këto fjalë, drejtori më tha se do ta thërriste dikë nga jurisprudenca, por më porositi të mos i tregoja të vërtetën personit që do të vinte për të na vizituar, sepse po qe se do t`i tregoja të gjitha ato ngjarje të llahtarshme do të pësonim edhe më keq. Por ne nuk kishim ç`të humbnim. Ne vetëm mund të fitonim diçka. Dhuna kundër nesh mund të na pakësohej. Çuditërisht sekretari nga jurisprudenca kroate erdhi. Vizita filloi nga dhoma e fundit dhe jo nga dhoma ime. Sapo erdhi në dhomën time ju drejtova sekretarit:“- Këtu janë duke ndodhur krime të tmerrshme. Janë duke i torturuar të rinjtë mizorisht. Ai i habitur më tha se këto nuk kishte dëgjuar nga asnjëri prej të burgosurve.” ´Unë ia ktheva: - Ju keni të drejtë që habiteni, ngase asnjëri prej të burgosurve nuk ka guxuar ta thotë të vërtetën, për arsye se gardianët atyre jua kanë futur frikën deri në palcë, duke i torturuar mizorisht. Si dëshmi ju mund t`i shikoni edhe muret me gjakun e rinjve shqiptarë. Këto ia thashë në praninë e dy shokëve të mi: Bislim Bajramit dhe Nazmi Shaqirit, me të cilët bashkëvuaja në qeli. Në këtë rast ndodheshin edhe drejtori i burgut dhe gardianët. Pas këtij rasti vërtet dhuna kundër të nesh u pakësua.
Pyetja: Sipas kësaj që e thoni, ju e me një guxim të madh morët një vendim të tillë. A u përballët me vështirësi mendimesh, pasi ju keni qenë të vetëdijshëm se kundër juve mund të ushtrohej dhunë e egër fashiste, një tmerr i vërtetë?
I.Muzaqi: Mua më shtynin shumë egërsi që i shfaqnin e fyrje që i bënin gardianët kundër neve. Veç dhunës ata edhe na shanin shumë keq moralisht e kundër familjeve tona. S`linin gati asnjë pjesë të trupit tonë pa na e sharë. Më së vështiri na dukej kur mundoheshin të na shtynin për të kënduar për Titon. Pas gjithë asaj katrahure mizore gardianët i detyronin të rinjtë të përshëndesnin dhe me ca fjalë serbe: “mirno, pozdrav, pravo” etj, që po t`i përkthejmë në gjuhën tonë kanë kuptimin afërsisht: gatitu, përshëndetje (për t`i përshëndetur gardianët,), drejt rri drejt. Këso gjërash e fyerjesh i bënin sidomos kundër atyre të rinjve që fare nuk e dinin gjuhën. Kur ndodhte që ndonjëri të mos i shqiptonte mirë ato fjalë, ndaj tyre ushtronin një dhunë të tmerrshme. Qëllimi kryesor ishte që t’ua bëjmë me dije organeve të jurisprudencës kroate se atje po ushtrohej një dhunë barbare nga gardianët, me urdhrin e drejtorit të burgut, apo edhe të shefit të UDB-ës. Ne ishim të përqendruar në kërkesën tonë që të ndalet dhuna, ose përndryshe ne do të hidheshim në grevë urie. Çuditërisht kjo dhunë pjesërisht u ndërpre dhe nuk ishte i atyre përmasave të tmerrshme.
Është një karakteristikë e veçantë, ndoshta për lexuesin do të ishte e pabesueshme, por është një realitet që ka ndodhur, kur ishim të detyruar të hanim rrepa (rrepa të bardhë) që na dukej se ishin helm, ata kishin një shije aq të keqe sa shpesh herë nuk arrinim t`i kapërdinim. Kur nuk i hanim dot na torturonin mizorisht. Për këto më së miri dëshmojnë të burgosurit që kanë vuajtur nëpër ato burgje. Por si e veçanta që do të më ngelet mua dhe të gjithë të burgosurve është tërheqja e batanies nëpër korridorin e gjatë më se 30 metra, me një peshë afërsisht 90 ose 100 kilogram (pas kësaj që na tha Ilmi Muzaqi qeshi).
Pyetja: I nderuari Muzaqi kjo qeshje e juaj disi na shton akoma më shumë kureshtjen.
I.Muzaqi:Është në fakt një histori e dhimbshme po edhe e çuditshme, e cila edhe mund të na marrë kohë, por me pak fjalë po mundohem t’ jua përshkruaj: të burgosurit që dënonin për ndonjë gabim që e bënin aty si “shpërblim” i detyronin tërë natën ta tërhiqnin atë batanie, mbi të cilën e vendosnin një njeri, më të rëndin, për ta tërhequr. Mbase është interesante të them se mua dhe A. L gati gjithnjë na ka qëlluar njeriu më i rëndë. Ndodhte gati tërë natën duhej ta tërhiqnim, po ajo më e vështira mbase ishte, kur korridorit pas shumë lëvizjeve i hidhnin edhe ujë. Pas përfundimit të kësaj dhune ishim të detyruar t’i nënshtrohemi dhunës tjetër, ja ky ishte fati i një të burgosuri.
Pyetja: Po a keni pasur frikë së në emër të rendit ndokush nga të burgosurit mund të ekzekutohet me prapavijë, siç ka ndodhur të vriten nëpër burgje serbe shqiptarët?
I.Muzaqi: Po, unë mund t`ju them se pikërisht në atë burg është përgatitur edhe një skenar për eliminimin fizik të të burgosurve shqiptarë, nëpërmes shkaktimit gjoja të një ekscesi. Një natë vonë aty rreth orës një i ka dalë flaka një pjese të burgut. Kjo ishte një kurdisje për të na zhdukur, por fati deshi që përpos gëlltitjes së tymit të mos pësonim më shumë. Po, pas këtyre skenave (më 1982 ) na transferuan për në Lepogllavë, mua me Beslim Bajramin, Adem Salihun, Avdi Limanin; Avdi Latifin, Afrim Morinën e Bedri Deliun,e shumë të tjerë.
Pyetja: Mund të ju rikujtohet diçka e veçantë që ja vlen të na thoni?
I.Muzaqi: Ndodhitë janë të shumta siç ju ka ndodhur edhe shumë të burgosurve të tjerë. Por një rast më ka ngelur fare i qartë, prandaj po jua them: Ishte një emision për jetën e Titos, që e transmetonte televizioni i Zagrebit. Unë dhe Halit Osmani nuk e ndoqëm fare. Dikush na kishte spiunuar, prandaj kriminelët serbë na torturuan mizorisht derisa edhe na alivanosën. Pas kësaj torture që na bënë unë në mëngjes ju drejtova shokëve me këto fjalë: - Unë do të hidhem në grevë. Greva filloi të nesërmen. Një pjesë e të burgosurve mu bashkangjitën. Greva zgjati gati 12 ditë. Pasi ne nuk e ndërpremë grevën mua me një grup të shokëve na dërguan në burg hetues të Zagrebit. Edhe atje grevën nuk e ndërpremë deri në një marrëveshje me shokët. Pas kësaj ndërprerje na transferuan në Stara Gratishk, ku atje patëm rastin ta gjejmë njeriun e ndërgjegjes kombëtare dhe shumë të respektuarin bacën Adem, të ndjerin Ramadan Shalën, më vonë edhe Fehmi Lladrovcin. Fati im dhe i të gjithë atyre të tjerëve aty ishte i madh sepse kishim një mësues të vërtetë: bacën Adem. Baca Adem për ne ishte shpëtimtar, këshillat e tija ishin qëndresë dhe guxim për ne.
Pyetja: Meqë jemi te baca Adem dhe te Fehmi LLadrovci, a mund të na thoni diçka për ta?
I.Muzaqi: Kam shumë për të thënë për këta dy burra. Jam i sigurt se po të flasësh për Bacë Ademin dhe Fehmi Lladrofcin duhet shumë kohë, por unë do të përpiqem të them ato më kryesoret meqë tani jam duke dhënë intervistë e natyrisht intervista nuk është e përmasave të librit. Baca Adem për ne ka qenë një udhërrëfyes, njeri i përkushtuar, i cili asnjëherë nuk u ligështua, njeri që me qëndrimin e tij neve na ka trimëruar, ai me aftësitë e tij të veçanta na frymëzonte që ne ta kuptonim për ç` arsye jemi në burg. Bindjet e tij atdhetare neve na i ka ngulitur dhe na ka forcuar me kurajo për të qëndruar stoik e të papërkulshëm, të mos gabonim për asnjë çast. Ai ishte një mësues i madh për të burgosurit dhe lirisht mundëm të them se ishte në këtë fatkeqësi një fat i madh që qemë me A. Demaçin në burg.
Krahas këtij burri të kombit kam pasur nderin të kisha edhe një shok të mirë, një burrë të vendosur të Drenicës: Fehmi Lladrovcin. Te ky burrë kam parë shpirtin e një mishërimi të harmonishëm. Ai kishte edhe humor kur e donte puna. Mbante një qëndrim të prerë e të drejtë, ishte stoik e i papërkulshëm, gjithnjë tek ai shquhej krenaria e shqiptarit, krenaria e patriotit e atdhetarit të devotshëm. Tek ai shquhej shpirtmadhësia dhe gatishmëria për sakrifica, shquhej përkushtimi i tij atdhetar, për ribashkimin e jetësimin e Shqipërisë të Natyrshme. Në ballin e tij në fytyrën e tij kemi lexuar heroizmin e shqiptarit si vazhdimësi në shekuj. Ai ka qenë shembulli më i mirë që ne të mos ligështoheshim për asnjë çast. Bacë Adem Demaçi dhe Heroi i Kombit Fehmi Lladrofci kanë qenë të veçantë, por në këtë mes s`duhet harruar edhe shokët tjerë si Ramadan Shalën, sepse të gjithë së bashku ishin dëshmi se si duhet të qëndrojë shqiptari edhe në burg. Këta kanë luajtur një rol të rëndësishmin për ne sepse ishin në shërbim të edukimit tonë, të qëndrimit tonë. Pra ishin mësuesit tanë më të mirë. Këta, aq herë sa patën mundësi, sado edhe të vogla, i shfrytëzonin për na mësuar e formuar për përgatitur sa më mirë me qëllim që sapo të dalim nga burgu të mos heshtnim, por ta vazhdonim luftën për të jetësuar e idealet atdhetare. Natyrisht kjo punë e tyre u kurorëzua me sukses, sepse gati të gjithë kemi vazhduar pa hezituar fare rrugën e atdhetarizmit.
Pyetja: I nderuari Muzaqi pasi dolët nga burgu ju si dhe në ç`mënyrë keni vepruar?
I.MUzaqi: Fillimisht pasi dola nga burgu më, 08.04.1989 Kosovën e gjeta thuajse ashtu siç e kisha lënë në zjarr, madje diku - diku mund të them edhe më keq. Por demonstratat në tërë Kosovën kishin marrë hovë, prandaj ne jo vetëm ishim të ngrohur shpirtërisht, por edhe rrugën e gjetëm të gatshme, ndaj pa u hamendur u futa në të. Më vonë u inkuadrova në KMLDNJ me iniciativën e Bacës Adem, por në anën tjetër me shumë shokë tjerë formuam Këshillin e LPK-ës, si me Ramadan Pllanën, Islam Mulakun, Avdullah Zhegroven, Shefqet Dibranin etj.
Pas formimit të këtij këshilli të LPK-ës ne ecnim e vepronim për të jetësuar idealet tona gjithëshqiptare për Shqipërinë Etnike, po duke mos lënë anash aksionin e madh gjithëkombëtar, pajtimin e gjaqeve. Natyrisht ne ishim të vendosur që as një hap të mos pushonim dhe për fat të mirë ky aksion pati jehonë dhe sukses të madh. Po me këtë sukses vazhdoi edhe LPK-ja që ishte një promotor për formimin e një Ushtrie. Kështu duke u bashkuar veprimtaria atdhetare shqiptrae si një zinxhir i pashkëputur u formua edhe UÇK’ja.
Pyetja: Po ju pas gjithë kësaj pune, a ishit në shënjestër të policisë dhe a mendonit se me ju nuk do të merrej policia?
I.Muzaqi: Ne kemi qenë të vetëdijshëm se kriminelët serbë ose edhe të tjerë përpiqeshin të na zbulonin, prandaj ishim të shtrënguar të punonim në ilegalitet të thellë, megjithëkëtë na lehtësohej puna meqë vepronim KMLDNJ dhe aty takoheshim pa pasur drojë. Po për fat të keq më 1993 pushtuesit e atëhershëm serbë filluan aksionin për të burgosur sa më shumë veprimtarë shqiptarë, prandaj na i burgosën shumë shokë, ndërsa unë me ca shokë patëm fatin t’i shpëtojmë këtij arrestimi dhe në pamundësi për të qëndruar në Kosovë u detyruam ta lëshojmë Atdheun. Sipas një aktvendimi të lëshuar më 27.10.1993 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë na kërkonin për të na burgosur. Aktakuza ishte sajuar në lidhje me nenin 45.st.2 neni 3 të ligjit, nga Prokurori Jovica Jovanoviq.
Pyetja: Ju u detyruat të ikni?
I.Muzaqi: Po, ika natyrisht pa vullnetin tim, meqë e dija se burgu nuk është zgjidhje. Unë dhe shumë shokë, në mesin e të cilëve ishe edhe ti, nuk patëm mundësi të vazhdonim veprimtarinë në Kosovë, pasi në çdo hap ishim të rrezikuar për të na burgosur pushtuesit serbë, prandaj vendosëm të iknim për të mos e lënë veprimtarinë atdhetare përgjysmë. Ne morëm botën në sy dhe u vendosëm në Gjermani, atje sapo u vendosa nën një strehë, u futa në radhët e organizatës sonë që vepronte jashtë, në LPK, ku pata rastin edhe atje të takohem e të veproj bashkë me shokun tim të dashur Fehmi Lladrovcin dhe me të vazhduam aktivitetin gjersa ai mori rrugën e kthimit për në Kosovë, ku edhe doli në ballë të luftës çlirimtare. Unë ende mbeta me një grup shokësh si me Mustafë Krasniqin, Zymert Gashin dhe me Hotin, Lajçin, Currin etj. Natyrisht ne vepronim në Fondin “Vendlindja thërret”, që drejtpërsëdrejti i vinte në ndihmë UÇK -ës
Pyetja: Çka mund të na thoni për Fehmiun?
I.Muzaqi: Fehmiu ishte një shok i afërt, një njeri i ngritur, i thjeshtë, i dashur me të gjithë, një burrë me një krenari që ma kujton burrërinë e shqiptarit në shekuj, i zjarrtë e shpirtërisht i mrekullueshëm, i ëmbël sidomos kur i shqiptonte fjalët: atdhe, liri, burrëri. Me thënë të drejtën vizionin e Fehmiut nuk e kemi kuptuar me kohë, ky ishte një strateg i mirë, sepse ky fillet e para për formimin e njësive të para ushtarake i kishte realizuar në Gospiq, ndoshta mu në atë vendin ku shqiptarët janë torturuar dhe burgosur si mos më keq. Fehmiu mu aty e themeloi formacionin e parë ushtarak me qëllim që të ishin të përgatitur për luftën në Kosovë. Ai vazhdimisht thoshte se lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, prandaj duhej të përgatiteshim dhe pikërisht për këtë arsye në çdo kuvend thoshte, se ne duhet t’i prijmë luftës që ajo të mos vijë për të na gjetur të papërgatitur. Te ky njeri kemi gjetur vetëm shpresë, prandaj me të vetëm gjumi na ndante. Unë kam shumë kujtime që ende më kanë mbetur të freskëta me shokun tim të dashur Fehmi Lladrofci, por kryesorja e mbi të gjitha ka qenë porosia e tij e madhe që lufta të mos ndalet derisa të çlirohet i çdo cep i Shqipërisë Etnike.
Fehmiu jo vetëm që ka ditur shumë për luftën, por edhe për artin e saj ka qenë arkitekt. Pas rënies së Jasharëve, Fehmiun nuk ka pasur mundësi as topi ta e ndalte, në rrugën drejt luftës heroike të UÇK-ës, në ballë të së cilës shfaqi madhështinë prej heroi të vërtetë. Herën e parë atë e plagosën, por ai me atë zjarrin e madh në shpirtin tij atdhetar, u shërua dhe vajti përsëri në luftë. Ai u flijua në altarin e atdheut për të mos vdekur kurrë.
Kujtoja shumë çka, por diçka që më ka lënë mbresa të veçanta është madhështia e tij e shfaqur nëpërmjet një telefonate që i bëra një natë para se binte heroikisht: - Ilmi, - më tha, - liria po vjen, nuk ka rëndësi me mua apo pa mua, ajo do të vijë. Krahas Fehmiut ka qenë edhe burrëresha motra Xhevë, vërtet një Shote Galicë e dytë, e cila ra heroikisht në themelet e Shqipërisë së Natyrshme. Pyetja: Shohë në sy tu se keni një mallëngjim?
I.Muzaqi: E si mund të flas njeriu i qetë kur kujton heronj të tillë?! Është një mall i madh kur flet njeriu për shokët e idealit, për ata që u flijuan në themelet e Atdheut. Me Fhmiun më lidhin shumë kujtime e përjetime. Ai është hero, sepse ai ra për t`i dhënë jetë Atdheut nga jeta e tij.
Pyetja: Ju me një bagazh aq të madh të veprimtarisë çka mendoni për Pavarësinë e Kosovës dhe simbolet e saja?
I.Muzaqi: Unë kam qenë përkrahës dhe mbetëm përkrahës i pavarësisë, por dorën në zemër pavarësinë e kam kuptuar dhe e kuptoj në përbërje të Shqipërisë Etnike. Në qoftë se nuk vazhdohet rruga për jetësimin e saj, jam thellësisht i bindur se shkelet vullneti dhe gjaku i heronjve dhe vlera e luftës së shenjtë të kombit tonë, por unë kam besim në forcat e popullit shqiptar për të jetësuar ribashkimin e Atdheut. Flamuri ynë është flamuri i shqiptar, flamuri i Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit, Fehmi Lladrofcit, flamuri i Shqipërisë, ai që na emocionon dhe na jep shpresë, ai që dëshmon se Kosova dhe viset të tjera shqiptare si nën Maqedoninë si nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë janë pjesë të përbashkëta të Shqipërisë e që së bashku me Republikën e Shqipërisë përbëjnë tërësinë e Shqipërisë së Natyrshme. S`ka dhe s`mund të ketë flamur tjetër për shqiptarët e bijtë e shqiptarëve.
Pyetja: Do të thotë se zhvillimet politike në Kosovë nuk janë në rrugën e duhur, se ka vend për moskënaqësi?
I.Muzaqi: Duhet të jetë për të tërë e qartë ajo që e thashë edhe më parë për heroin Fehmi Lladrofci, për Xhevën dhe për bijtë e bijat më të mirë të popullit shqiptar siç është heroi tjetër, burri kreshnik i Drenicës martire Adem Jashari, kreshniku e heroi tjetër i Gallapit - Zahir Pajaziti, heroi i Malësisë së Gjakovës, burri vigan i Tropojës - Tahir Sinani e shumë e shumë të tjerë të cilët ranë heroikisht për t` i dhënë jetë nga jeta e tyre Shqipërisë Etike e të Natyrshme. Për jetësimin e saj kemi vepruar e do të veprojmë derisa të realizohet edhe në kuptimin e njohjes ndërkombëtare. Po të kem jetë edhe kaq sa kam jetuar do t`ia falja të tëra vitet Atdheut, Shqipërisë sonë Etnike.
Pyetja: Për fund çka do të na thoni?
I.Muzaqi:Kam shumë për të thënë, por nuk dua ta lodhi lexuesin tuaj, besoj se kjo do të mjaftojë që ata ta kuptojnë dhimbjen e një të burgosuri, prandaj për këtë ju falënderoj juve dhe besoj se është një rrugë e mirë që të intervistoni sa më shumë njerëz që kanë vuajtur nëpër burgjet jugosllave, sepse njohë shumë burra e burrëresha që janë lënë pas dore, e besoi se një përkujdesje sa do e vogël për ta është nder, sepse ata e nderuan edhe Atdheun edhe kombin, por edhe brezat e ardhshëm. Mbi të gjitha porosia e ime është e do të jetë: të bëjmë gjithçka qoftë edhe të pamundurën ta bëjmë të mundshme për ta ribashkuar Shqipërinë Etnike e të Natyrshme.
( Shkruajnë: Mustafë Krasniqi e Isuf Ismaili - 24. 03. 2009 )
|