Në fokus të historianit
. |
Në fokus të historianit
RËNDËSIA E “SHTABIT SUPREM TË KOSOVËS”
NË NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS
(dhjetor 1944-tetor 1945)
![]() Shkruan: Prof.Dr.Muhamet Pirraku
____________________________________________________________________
P ë r m b a j t j a e s h k u r t ë r:
“Shtabi Suprem i Kosovës” u formua në Kuvendin e Tërpezës (Viti), më 1 dhjetor 1944, për udhëheqjen politike e ushtarake të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare. Anëtarë të Shtabit u zgjedhën udhëheqësit e grupeve të armatosura të pjesës lindore të Kosovës, anëtarë të Zonës III dhe IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës të Lidhjes II të Prizrenit. Pika më e lartë e ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës si pjesë e Çështjes shqiptare të pazgjidhur ishte Proklamata drejtuar faktorit të brendshëm, shqiptar, dhe atij ndërkombëtar në fillim të tetorit 1945.
Mbrojtja Kombëtare e Kosovës sipas organizimit strategjik të Lidhjes II të Prizrenit mori goditjet vendimtare aty nga mesi i nëntorit 1944. Aso kohe ushtria e rregullt e Mbretërisë Shqiptare mori direktiva nga Tirana për tërheqje nga kufijtë lindorë, verilindorë, veriorë, veriperëndimorë dhe perëndimorë të Kosovës dhe një pjesë e madhe e komandantëve popullorë të forcave vullnetare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, duke gjykuar si të vetmen mundësi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, iu bashkuan njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kominterniste të Shqipërisë dhe të Kosovës - Jugosllavisë[1].
Në viset e Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të cilat sot përafërsisht i mbulon Zona Operative VI e TMK-së, besnikë dhe të paluhatshëm betimit mbi Programin e Lidhjes II të Prizrenit i mbeti një pjesë e vogël e personaliteteve politike e ushtarake kombëtare, nacionalistë të sprovuar, ish-veprimtarë politikë dhe luftarakë të Mulla Idris Gjilanit, por të shkapërderdhur dhe pa lidhje organizative për veprim të organizuar politik e luftarak. Midis këtyre, më të dalluar ishin: Xheladin Kurbaliu, Sylë Zarbinca, Shefki Desivojca, Mehmeti i Zi – Krileva, Lotë Vaku, Ajet Kosovica, Hoxhë Lipovica, Ajet Rainca, Lam Breznica, Ymer Muçibaba, Faik Taliri, Shyt Mareci, Sylë e Mulla Dulë Hotla, Qazim Zekbasha etj[2].
Këso kohe, në arealin jugpërendimor të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, kishin dhënë shenja të qarta të shkurorëzimit të kumbarisë me antifashistët kominternistë edhe krerët popullorë me autoritet: Hysen Tërpeza, Abdyl Dura, mandej, gradualisht, edhe trimi Hasan Remniku[3], madje edhe urtaku Ramiz Cërnica[4], etj. Edhe shumë personalitete të tjera popullore e ushtarake, si Hasan Kabashi, Din Hoxha, kapiten Bajrush Xhakli, Muharrem Fejza, ish-nënprefekt i Kaçanikut etj., ishin tërhequr në vetizolim, të papajtueshëm me robërinë jugosllave, që po i vihej Kosovës me ndihmën e UNÇ të Shqipërisë dhe të Kosovës[5].
Momenti historik diktonte nevojën e lidhjes së këtyre personaliteteve në organizim politik e luftarak antijugosllav me frymë demokratike çlirimtare shqiptare. Me burime dhe kujtesë historike të revalorizuar shkencërisht vërtetohet se detyra e flamurtarit të bashkimit të këtij faktori i takoi Mulla Idris Gjilanit, i cili në Komplotin e Roganës, më 13 nëntor 1944, lëshoi betimin kushtrimor: “Njëqind vjet n’i paça jetë, të gjitha kam për t’i kaluar kaçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë…!”[6]
Fillet e këtij organizimi, që solli në Kuvendin e Tërpezës, të l dhjetorit 1944, ku u rrumbullakësuan përpjekjet për ngritjen e Shtabit Suprem të Kosovës, për udhëheqjen politike e ushtarake të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, i hasim në Kuvendin e Suharnës në Hashani, më 17 nëntor 1944, vetëm një ditë pas rënies së Gjilanit nën pushtetin ushtarak e policor të UNÇJ-së, përkatësisht të nesërmen nga Ploja e Bllacës së Hanit të Elezit, kur partizanët maqedono-serbë pushkatuan 128 shqiptarë civilë. Në këtë kuvend iu vunë themelet Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e viseve etnike shqiptare.
Programin e kësaj Lëvizjeje, amanet për brezat, ngërtheu Fjala e Mulla Idrisit: ”Hëpërhë, zgjidhja e çështjes së bashkimit dhe të lirisë së Shqipërisë Etnike u vulos me tradhtinë e komunistëve shqiptarë, aleatë politikë e luftarakë të sllavo-komunistëve pansllavistë, por ideja për Shqipërinë e bashkuar dhe të lirë mbi programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e mbjellë në ndërgjegjen shqiptare të Kosovës duhet të ruhet edhe me sakrifica mbinjerëzore, duke i bërë kurban të kësaj ideje evladët, familjet, miqtë dhe vetën…!”
Përmasat e pjesëmarrjes së fshatarësisë shqiptare të Hashanisë në Kuvendin e Suharnës e frikësuan UNÇJ-në. Në Shtabin e Mulla Idrisit në Stanec, më 23 nëntor dhe më 25 nëntor 1944, u dërguan për bisedime dy udhëheqës politikë e ushtarakë të Brigadës Partizane të Skënder Preshevës: Xhelë Guri dhe Selim Norça, të cilët, Mulla Idrisit i garantuan amnisti për bashkëluftëtarët dhe e ftuan në luftë përkrah UNÇJ-së e UNÇSH-së dhe i premtuan poste të larta në veprimtaritë fetare.
Mirëpo, Mulla Idrisi kishte një kërkesë betim: ”Nuk luftoj veresi! Pranoj të bashkohem me partizanët shqiptarë dhe nuk më intereson ideologjia e tyre politike, por me kusht që Jugosllavia paraprakisht të nënshkruaj se garanton shprehjen e lirë të popullit shqiptar sot nën armët e komunistëve jugosllavë. Kjo të bëhet në prani të përfaqësuesve të Anglisë dhe të Amerikës…!”
Mulla Idrisi më 26 nëntor 1944 kishte ftuar Kuvendin e Krerëve të Karadakut, në vendin “Livadhi i Shehit”, nën drejtimin e Ymer Saçës së Muçibabës. Kuvendi aprovoi kërkesën për lidhjen e Lëvizjes sëRezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore me Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare në viset e tjera të Kosovës dhe të Maqedonisë, e drejtuar prej një trupi organizativ e luftarak. Prej andej Mulla Idrisi arriti në Tërpezë të Moravës së Epërme dhe e ngarkoi Hysen Tërpezën të shkonte në një takim me personalitetet politike e luftarake të Zonës III të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në vise të Zhegocit.
Dhe, më 28 nëntor 1944, në ditën e takimit të përfaqësuesve të Zonës III dhe IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në afërsi të Plitkoviqit, Mulla Idrisi ishte në Kurbali, kui zhvilloi bisedimet e funditme përfaqësuesin e UNÇJ-së-UNÇSH-së, Selim Norçën me përcjellës. Në procesverbalin nga hetuesia, plotë pesë vjet më vonë, më 25 nëntor 1949, Mulla Idrisi theksoi se në Kuvendin e SuharnësLiman Staneci “kërkoi të drejta të barabarta sikur edhe për të gjithë të tjerët, kurse Selim(Norça) ka kërkuar që ne të dorëzohemi dhe të shkonim në ushtri, në luftë kundër gjermanëve. Me këtë jemi ndarë, kurse Selimi tha se do të paraqitet. Unë nuk kam dashur të presë përgjigjën nga Selimi, por jam nisur për në fshatin Tërpezë…!”
Kuvendi i Tërpezës, i datës 1 prill 1944, ishte si një vazhdim i Kuvendit të Plitkoviqit, në të cilin kishin marrë pjesë përfaqësuesit e ish-“Grupit Intelektual të Prishtinës”, të Komitetit “Rinija Nacjonaliste për Mbrojtjen e Kosovës”, të “Batalionit të Rinisë Nacijonaliste ‘Nazim Gafurri’të Prishtinës” dhe ish-përfaqësues të shtabeve të Zonës III të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës: Adem Gllavica, Ibrahim Këlmendi, Luan Gashi, Abdyl e Mustafë Henci, Hamdi e Shemsi Mramori, Selim Maçastena, Januz Bajçinoci, Qazim Llugaxhia, Ismail Gorani, Rexhep Okllapi, Bahtir Dumnica etj.
Kuvendi i Plitkoviqit kishte diskutuar për mundësitë dhe format e organizimit të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe kishte formuluar kërkesën për ngritjen e një trupi unik organizativ politik e ushtarak me pretendime për tërë Kosovën, me emrin Shtabi Suprem i Kosovës. Këtë kërkesë duhej ta kurorëzonte Kuvendi i Tërpezës, ku duhej të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore dhe përfaqësuesit e Moravës së Epërme, të Kaçanikut, të Ferizajt etj. Kuvendi i Tërpezës u mbajt nën nikoqirllëkun e Hysen Tërpezës, i cili, siç do të tregojnë zhvillimet, nga kjo ditë ia ktheu pushkën njëherë e përgjithmonë Nacionalçlirimtarës jugosllavçe e kominterniste të Fadil Hoxhës e të Enver Hoxhës.
Në Kuvendin e Tërpezës Mulla Idris Gjilani erdhi me autorizime të plota të drejtuesve të grupeve guerile: Xheladin Kurbalisë, Sylë Zarbincës, Faik Talirit, Shyt Marecit, Ajet Kosovicës, Qazim Zekëbashës, Ajet Raincës, Sylë Hotlës, Ymer Saçës dhe Hoxhë Lipovicës. Në Kuvendin e Tërpezës, si përfaqësues i viseve që i përfaqësonte Mulla Idrisi, ishte edhe Muharrem Fejza i Hogoshit, i cili në kuvend vinte me përfaqësuesit e Kaçanikut dhe ish-sekretarin e komunës së Velekincës, Ndue Pepën. Në përcjellje të personaliteteve politike e ushtarake drejtuese në Tërpezë arritën rreth 400 luftëtarë të armatosur.
Sipas të dhënave të sistematizuara nga Shefi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, kapitenit Luba Popoviq, aty pas vitit 1951, Kuvendi i përfaqësuesve të Lëvizjes së Rrezietencës Shqiptare i 1 dhjetorit 1944 për komandant të Shtabit Suprem të Kosovës e emëroi agronomin Adem Selim Gllavica, kurse për zëvendës të tij mekanikun Qazim Sefë Llugaxhinë. Kuvendi kishte aprovuar një Rezolutë dhe një afishe, të cilat përfundonin me thirrjen: “Rroftë Shqipëria…!”[7]Këtu, dhe me këtë, zuri fillin aktiviteti politik e ushtarak i Shtabit Suprem të Kosovës në fushë të ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës si Çështje shqiptare që pret zgjidhjen e drejtë me të drejtën e Kosovës dhe të popullit shqiptar në vetëvendosje.
Me të dhëna burimore mund të vërtetohet se në Kuvendin e Tërpezës u përfaqësuan, thënë më së buti, dy koncepte politike e luftarake. Të thuash të gjithë personalitetet që vinin nga viset e Llapit, të Prishtinës, të Ferizajt e të Kaçanikut të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës përfaqësonin konceptin për organizimin e një lufte ballore me përmasa të gjera kundër robërisë jugosllave, me sulme të rrufeshme në qytetet ku ishte koncentruar pushteti politik, policor e ushtarak kominternist jugosllav e shqiptar, me qellim të qartë: shkallëzimin e kundërthënieve midis popullit shqiptar dhe pushtuesit dhe shpejtësimin e ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës si Çështje gjithëshqiptare, duke llogaritur në humbje të mëdha pa parashikim të fitores. Me këtë opsion ishin bashkuar fuqimisht Muharrem Fejza, Hasan Kabashi madje edhe Hysen Tërpeza, e pjesërisht kapiten Bajrush Xhakli e të tjerë.
Konceptin tjetër: Përqendrimi i rezistencës së armatosur guerile në malësi vetëm me luftëtarë të sprovuar, hedhjen e rinisë së arsimuar në organet e pushtetit civil, policor e ushtarak për marrjen e segmenteve të pushtetit nga brenda dhe angazhimin e intelektualëve të lartë në aktivitete diplomatike në lidhje me misionet anglo-amerikane - për afirmimin e kërkesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi për të drejtën në vetëvendosje, këtu e përfaqësoi Mulla Idris Gjilani në emër të grupeve guerile të Kosovës Lindore.
Mulla Idrisi në kuvendet e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Hashani dhe Karadak kishte paralajmëruar një luftë të gjatë, mbi bazë të strategjisë të Lëvizjes Kaçake të viteve ‘20-ta, duke i ruajtur qytetet si hambare për furnizim të popullsisë fshatare dhe fshtatrat si baza të papushtueshme të Lëvizjes. Ngadhënjeu opsioni i parë dhe Kuvendi i Tërpezës mori vendim për organizimin e sulmeve të njëkohshme dhe të rrufeshme fillimisht në tri qytete: Ferizaj, Gjilan e Rahovec, e më vonë edhe në qytetet e tjera.
Këtu duhet të vihet në spikamë se pushteti politik, policor e ushtarak i okupatorit kishte njohuri të plota për mbajtjen e Kuvendit të Tërpezës dhe bëri mbi të një presion të dyfishtë. Pushtetari sovran i Gjilanit, Vllada Popoviq, i dërgoi misionarë Hysen Tërpezës, me letër të nënshkruar nga Mustafë Hoxhë Nisheci, dhe 500 yje pesëcepësh. E ftonte të ndikonte te personalitetet e luftëtarët shqiptarë, që kishin arritur në Tërpezë për riorientimin e tyre në ushtri partizane dhe në krye të tyre të hynte në Gjilan me yjet partizane në kësula dhe me parulla: “Rroftë Fadil Hoxha!”, “Rroftë Enver Hoxha…!”,“Roftë Mareshali Tito!”.
Dhe, deri sa po lexohej Letrae “Hoxhë Nishecit” para pjesëmarrësve në Kuvend, ushtria jugosllave ia futi flakën fshatit Muçibabë, ku ishte përqendruar Njësiti i gueriljes kombëtare të Ymer Saçës. Ky ishte provokim që nuk lejonte asnjë afri të mundshme me pushtuesin jugosllav kominternist, që shpejtësoi edhe organizimin e Sulmit në Ferizaj, më 2 dhjetor 1944, me të cilin u shënua fillimi i ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës si Çështje shqiptare përmes gjuhës së pushkës.
Brutaliteti i ushtrisë partizane jugosllave e shqiptare kundër pjesëtarëve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare pas Luftës së Ferizajt solli masivizimin e rezistencës së armatosur dhe disfatën e ushtrisë jugosllave maqedono-serbe të shënuar me Luftën e Desivojcës, më 19 dhe 20 dhjetor1944, dhe të pasuar me Sulmin në Gjilan, më 23 dhjetor 1944. Këto dy ngjarje ndikuan në ndërgjegjësimin kombëtar në radhët partizane e kominterniste shqiptare dhe në ndërgjegjësimin politik anglo-amerikan në dobi të afirmimit dhe të ndërkombëtarizimit të kërkesave shqiptare për të drejtën e Kosovës dhe të kombit shqiptar në vetëvendosje[8].
Pësimet nga Sulmi në Ferizaj dhe nga Sulmi në Gjilan dhe fitorja në Luftën e Desivojcës u bënë mësim për Shtabin Suprem të Kosovës, për heqjen dorë nga sulmet në qytete dhe për përqendrimin e rezistencës së armatosur guerile në malësi. Nga fundi i dhjetorit 1944 dhe gjatë pjesës së parë të janarit 1945, Shtabi Suprem i Kosovës vuri kontakte me drejtuesit e gueriles shqiptare në vise të Llapit, të Shalës së Bajgorës, të Drenicës, të Llapushës, të Bajrakut të Suharekës e të Astrazupit dhe të Dukagjinit dhe u lidh edhe me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare në Dervenë të Shkupit, me të cilin pas disa muajve, të thuash, do të bashkëshkrihen në Organizatën Nacionale Demokratike Shqiptare.
Nga fundi i dhjetorit 1944 Mulla Idris Gjilani do të tërhiqet në ilegalitet të thellë. Kjo ndodhi pas takimit me përfaqësuesin e Shtabit Suprem të UNÇ të Shqipërisë, Shefqet Peçin dhe me përfaqësuesit e Shtabit Operativ të UÇ të Kosovës, Rifat Berishën e Shaban Haxhinë-“Perzhën” në Male të Zhegocit më 29 dhjetor 1944. Në pyetjen e Shefqet Peçit: “Pse luftoni e derdhni gjak kot, mbasi porsa të stabilizohet gjendja, Kosova dhe gjithë viset shqiptare të Jugosllavisë pa tjetër do të bashkohen me Shqipni, gja për të cilën mund të jeni fare të sigurt…?”[9] Mulla Idrisi, duke iu drejtuar bashkëluftëtarëve përcjellës, midis të tjerash, ia la mallkimin e nëmën UNÇSH-së për robërinë jugosllave kominterniste që po i vihej Kosovës. Theksoi:
”Mo’ Zot ma keq për ne – edhe vllaznit t’anë shqiptarë të Shqipnisë së lirë, kanë ardhë me i ndihmue Titos dhe shqeve tëJugosllavisë, të cilët po duen me i marrë rishtas vendet tona dhe me na ba ne, ndër shtëpiat t’ona, skllav e rrogtarë të tyne, ase me na zhdukë e me na qitë fare, ah…i mjeri unë dhe bashkë me mue edhe Ju trima të mjerë, lufta jonë ka mbarue e veç Zoti na pagoftë, perse me derdhë gjakë e me luftue me bijt e nji nane dhe me vllaznit e nji gjaku e nji gjuhe, kuku medet për ne!, se na pushkë për me luftue me Serbet e Malazezet dhe Maqedonasit e tjerë bijë të shkinave kemi pasë dhe kemi, por pushkë për me u vra shqiptari me shqiptar nuk kemi.
Ma bani hallall bre luftarë trima dhe Zotynë e shpëtoftë Shqipninë e Kosovën e mjerë…!”[10]
Gjëma e Mulla Idrisit ishte një hap tjetër në fushë të internacionalizimit të Çështjes së Kosovës si Çështje gjithëshqiptare. Më 28 janar 1945, në jehonën e Revoltës së Shaban Palluzhës, më 23 janar 1945, dhe të Luftës së Drenicës deri më 21 shkurt 1945, u ngrit Komiteti Qendror i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare me seli në Shkup, në të cilën u shkri Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare i Dervenit. Nuk vonoi dhe Shtabi Suprem i Kosovës vuri lidhje organizative të ngushtë me Komitetin Qendror të NDSH-së me anë të prof. Ibrahim Kelmendit dhe, deri në mars të vitit 1945, të thuash e bashkoi aktivitetin politik e luftarak me aktivitetin politik e diplomatik të Komitetit Qendror të NDSH-së, i cili tashti synonte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare etnike jashtë Shqipërisë londineze. Në mbajtjen e lidhjeve midis Shtabit Suprem të Kosovës dhe Komitetit Qendror të NDSH-së pati një rol të rëndësishëm edhe Hysen Tërpeza me lidhjet e tij të ngushta me ish-antifashistin Tefik Halid Shemsiun e Tanushës (ish-Tanisheci).
Krahas udhëheqjes të aksioneve luftarake, Shtabi Suprem i Kosovës i kushtoi rëndësi të madhe veprimtarisë politike me masat dhe personalitetet antifashiste shqiptare të inkuadruara në organet e pushtetit civil, administrativ, policor e ushtarak në Kosovë dhe në Maqedoni. Nga fundi i shkurtit 1945 drejtuesit politikë e ushtarakë të Shtabit Suprem të Kosovës mësuan për takimin e përfaqësuesve politikë e ushtarakë komunistë të Kosovës: Miladin Popoviqit dhe kolonelit Fadil Hoxhës me Titon dhe Kardelin, më 18 shkurt 1945 në Beograd, ndaj ngriti zërin kundër aprovimit të kërkesës jugosllave që Kosova hëpërhë të lidhej me Jugosllavinë si pjesë e aneksuar Serbisë Federale[11].
Meqë pritej zyrtarizimi i aktit aneksional si kërkesë kosovare legale në Beograd më 7 prill 1945, përmes një delegacioni të “Kosovës” në krye me Mehmet Hoxhën, drejtuesit politikë dhe ushtarakë të Shtabit Suprem të Kosovës ranë në kontakt me disa personalitete të caktuar, anëtarë të “Delegacionit të Kosovës” nga F. Hoxha e M. Popoviq dhe kërkuan prej tyre që ata para Titos të shtronin kërkesën për respektimin e Rezolutës së Mbledhjes Themeluese të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës në Bujan, më 2 janar 1944, që do të thotë, të respektohej e drejta e Kosovës dhe e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze në vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë – Shqipërinë.
Nga mesi i prillit të vitit 1945, edhe Mulla Idris Gjilani, i cili nga ilegaliteti e drejtonte Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore, me anë të Salih Sadikut të Gjyrishecit dhe Mulla Ismail Hoxhaxhikut të Prishtinës i vuri lidhjet me Komitetin Qendror të NDSH-së dhe Organizatën Demokratike Turke “Jyxhel”(Ngritja) të Shkupit, duke ruajtur lidhjen me Shtabin Suprem të Kosovës përmes Ismail Goranit. Falë lidhjeve të Mulla Idrisit përmes “Jyxhelit” dhe kontakteve të prof. Ibrahim Këlmendit, Konsullata e Turqisë dhe Konsullata e Anglisë në Shkup kishin në dijeni përpjekjet politike e luftarake të Shtabit Suprem të Kosovës për ndërkombëtarizimin e Çështjes së Kosovës si Çështje Shqiptare që duhej të zgjidhej edhe me ndërhyrje të botës demokratike. Këto kërkesa me sukses i shpinte në Evropë, përmes Zagrebit e Sarajevës, edhe Halim Orana, Kryetar i Komitetit Qendror të NDSH-së.
Megjithatë, përpjekjeve të Shtabit Suprem të Kosovës për ndërkombëtarizimin e Çështjes së Kosovës si Çështje gjithëshqiptare një afirmim pa precedencë ua bëri Hysen Tërpeza, më 15 maj 1945, në Takimin e Cernillës me përfaqësuesin e UNÇSH-së, Shefqet Peçin në “emër të Shqipërisë” dhe përfaqësuesin e UNÇJ-së, Ali Shukriun, “në emër të Jugosllavisë”. Komandanti i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Moravës së Epërme, HysenTërpeza, kërkoi të mos shkelej e drejta e Kosovës në vetëvendosje, të cilën e kishte garantuar propaganda antifashiste nacionalçlirimtare shqiptare e jugosllave dhe vuri në spikamë faktin se, “Fadil Hoxha na ka thënë se ku i thonë bukës bukë ka për të qenë Shqipëri, e ku i thonë bukës hleba ka për të qenë Serbi!”[12]
Nga fundi i qershorit 1945 prof. Ibrahim Kelmendi organizoi një takim të Shtabit Suprem të Kosovës me Komitetin Qendror të NDSH-së në Odën e Tefik Tanishecit (varianti shqip – Tanushë). Komitetin Qendror e përfaqësuan: Kemail Skënderi dhe Mexhid Zyberi. U arrit marrëveshja për bashkëshkrirjen e Shtabit Suprem të Kosovës në organizëm ushtarak të Organizatës së NDSH-së dhe u aprovua kërkesa e Muharrem Bajraktarit të Lumës për thirrjen e një konference të përfaqësuesve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste, me rëndësinë e një kongresi. Kjo konferencë do të mbahej më 15 dhe 16 gusht 1945, në Kopilakë, në Shtëpinë e Zylbeharit .
Sipas informatave të ndryshme, në Kopilakë kishin arritur rreth 500 pjesëtarë të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, kurse personalitetet më të shquara ishin: Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Hasan Kabashi, Din Hoxha, Bajrush Xhakli, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti, Qazim Llugaxhia, Qazim Zekëbasha, Sylë Hotla, Hajriz Kajolli. Këtu ishte edhe përfaqësuesi i Mulla Idrisit, Salih Gjyrisheci, kurse KomitetinQendror të NDSH-së e përfaqësuan: Kemail Skënderi, Mexhid Zyberi dhe Xhemail Qazimi.
Kjo konferencë do të trajtohet si Kongresi III i Ballit Kombëtar, kurse ndër vendimet më të rëndësishme të tij, janë: Lëvizja e Rezistencës Shqiptare Antijugosllave, Lëvizja e Ballit Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja Nacionale Demokratike Shqiptare etj., të quhen me mërin: “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”- LpLTSH. Së këndejmi edhe Kongresi i Kopilakës – Kongri I i LpLTSH-së; forcat e armatosura të saj të quheshin ”Ushtri Popullore Demokratike Shqiptare”, kurse Shtabi Suprem i Kosovës të quhej “Shtab i Luftës”. Për komandant të tiju emërua Hysen Tërpeza, ndërkaq Adem Gllavicës iu besua roli i eminencës së katërt në Lëvizje, një si komisar politik në Shtab të Luftës, kurse Ibrahim Kelmendi e Luan Gashi u ngarkuan me propagandë e lidhje me faktorin e jashtëm, përmes Konsullatës së Turqisë e Konsullatës së Anglisë në Shkup, për ndërkombëtarizimin e Çështjes së Kosovës si Çështje shqiptare e pazgjidhur.
Kongresi I(III) i LpLTSH-së aprovoi platformën politike të një Thirrjeje, e cila duhej t’i drejtohej popullit shqiptar dhe opinionit botëror, e me të cilën duhej të denoncohej e të hidhej vendimi farsë i Kuvendit të Prizrenit të Këshillit Krahinor të Kosovës i datës 8 10 korrik 1945, sipas të cilit kinse Kosova me “vullnet” i bashkohej Serbisë Federale. Dokumentin do ta hartojë Adem Gllavica dhe do ta aprovojë Shtabi i Luftësi LpLTSH-së në një takim në Male të Mirashit, kurse, aty pas 20 shtatorit 1945, për shumëzim e shpërndarje do t’i ngarkohet veprimtarit politik të KomitetitQendror të LpLTSH-së(NDSH-së), Abdullah Muslisë, kryetar i Këshillit të Rrethit të Ferizajt, në bashkëpunim me drejtuesit e Komitetit Qendror të LpLTSH-së(NDSH-së) në Shkup. Shtabi i Luftës lidhjen me Abdullah Musliun e arriti me anë të Ibrahim Cernillës, komandant i rojës partizane në komunën e Babushit.
Me të dhëna të verifikuara mirë mund të vërtetohet se dokumentin me titull “PROKLAMATË” për botim e përgatitën personalitetet themelues të Komitetit Qendror të Organizatës së NDSH-së: Azem Morana, Hasan Bilalli e Abdyl Kerimi, arsimtarë në Kursin Pedagogjik të Shkollës Shqiptare në Shkup në prani të Abdullah Muslisë, i cili edhe mori pjesë në shpërndarjen e saj, në fillim të tetorit 1945. Ky dokument në dorën tonë ka arritur në përkthimin serbisht gjatë hetuesisë ndaj Abdullah Muslisë në OZN-a të Prishtinës, më 10 prill 1947. Përmbajtja e tij paraqet dokumentin dhe aktin më të rëndësishëm të Shbabit Suprem të Kosovës gjatë aktivitetit të tij, por edhe ndër ndërmarrjet më të fuqishme me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare politike të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare – LpLTSH-së nga mesi i nëntorit 1944 deri kah fundi i tetorit 1945, kur realisht nisi të pushojë së vepruari Shtabi i Luftës nën drejtimin politik të Adem Gllavicës dhe nën komandën ushtarake të Hysen Tërpezës, për t’i lëshuar vend Shtabit tëZonës I të LpLTSH-së(NDSH-së) të Ajet Gurgurit – Mulla Arif Shalës, me seli në Drenicë, si mekanizëm i ri dhe përfundimtar ushtarak kryesor i Komitetit Qendror të LpLTSH-së(NDSH-së) të Halim Oranës me seli në Shkup[13].
Ky dokument, Proklamata e LpLTSH-së e tetorit 1945, pasqyroi gjenocidin kanibalist serb mbi shqiptarët nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri në kalvarizimin e rekrutëve shqiptarë për UNÇJ-në dhe Plojën e Tivarit të 1 prillit 1945, e me forcë të argumenteve historike hodhi poshtë çdo mundësi për jetë shtetërore shqiptare me serbët, malazeztë e maqedonët dhe afirmoi e ndërkombëtarizoi kërkesat e Kosovës dhe të popullit shqiptar për vetëvendosje dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike, ku shqiptarët banonin vise kompakte 85-100%.
Për rëndësinë që ka dokumenti për mendimin politik shqiptar, dhe si burim për studime të veçanta të historisë kombëtare shqiptare, e sjellim In extenso dhe pa komentime të shumta:
“P R O K L A M A T Ë
Vëllezër kosovarë!
U drejtohemi sot Juve ne vëllezërit Tuaj nga Malet e lira të Kosovës.
Kaluan dhjetë muaj në pritje të armatosur. Pritëm me durim dhe kur ka qenë e nevojshme kemi luftuar. Goditjet, të cilat ia kemi dhënë armikut i janë të njohura tërë botës. I kemi parë të gjitha veprat dhe masat e “çlirimtarit” – ne qysh në fillim ato i kemi ditur dhe për ato qysh në fillim kemi shprehur mendimin tonë, por edhe shumë më mirë e kemi paraqitur frikën tonë. Por, kemi pritur dhe kemi lënë që të binden të gjithë. Tashti madje edhe simpatizuesit më të verbër të “lirisë” së popujve e kanë kuptuar se si qëndron çështja, por është vonë. Tashti e kanë kuptuar të vërtetën e idhët, i kanë hapur sytë, e kanë parë tradhtinë e stilit të lartë, të cilën e kanë bërë,…[14] gënjeshtarët mbi popullin tonë. Kjo nuk është hera e parë që në llogari të këtij populli të mjerë të luhet komedi. Nuk habitemi nga serbët dhe malazeztë. E kemi ditur se ata, nëse nuk janë imperialistët shovinistë të egjër të viteve 1878, 1912 dhe 1918 janë të bijtë e tyre, të cilët dinë të bëjnë plane të përkryera më moderne dhe më djallëzore. Natyrisht “Ujku qimen e ndërron, por vesin kurrsesi”. Këtë nuk e themi ne, por argumentet.
Mirëpo, habitemi prej disa shqiptarëve, të cilët është marre të quhen me këtë emër. Populli këta i njeh, çdo kund i ka demaskuar. Ata janë bërë vegla të verbra të interesave të huaja dhe pasi kanë robëruar dhe e kanë zhveshur cipcullak këtë popull të mjerë, ia ka marrë çdo gjë që ka pasur. Pasi kanë kryer plaçkitjen e planifikuar, kanë marrë nga populli çdo gjë e kurrgjë nuk i dhanë, shembull i qartë i barazisë dhe i lirisë së popujve(?), për të cilën aq shumë trumbetuan. Pasi që për dhjetë muaj sistematikisht dhe në mënyrën më armiqësore, kinse po i merrnin për ushtri, i syrgjynosën jashtë Kosovës më shumë se 70 mijë njerëz, më të zgjedhurit dhe më besnikët e Kosovës, të cilët i kanë mbyllë shtëpitë e veta, duke i lënë fëmijët e vet në mjerimin më të madh. Me Brigadën e njohur të Shtatë kanë bërë tradhtinë më të hapur dhe më të madhe, të cilën historia do ta shënojë me shkronja të zeza. Në këtë Brigadë i kanë tradhtuar dhe kanë hyrë rreth 20 mijë shqiptarë.[15] Të gjithë këta shkuan me armë të veta sepse u thanë se do të shërbejnë vetëm në Kosovë dhe se do ta mbrojmë vetëm Kosovën.
Pas disa ditësh u dërguan të gjithë të paarmatosur në Banat. Sot gjenden nëpër vende të ndryshme të Jugosllavisë, të shpërndarë në shumë brigada plotësuese, që do të thotë brigada për plotësimin e vendeve vakante në brigadat e huaja, kështu që sot nuk dihet se ku janë humbur dhe ku janë tretur nëpër tërë Jugosllavinë, sikurse kripa në ujë[16].
Më vonë është bërë tradhtia e dytë. U përpoqën që prapë të tubonin ushtarë me vullnet, por me vullnet askush nuk u shkoi, sepse populli ishte djegur. Tashti u thanë ndryshe: “Këta ushtarë do të shkojnë për në Shqipëri, po i kërkon Enver Hoxha”. Ia goditën telin. Kosovarët e pafat janë të gatshëm që për Shqipërinë të japin çdo gjë dhe jetën dhe për këtë u ngutën në brigada me armët e veta. Por tradhtia nuk vonoi, doli në shesh pas disa ditësh. Ua morën pushkët dhe i hodhën pas telave në Kazermat e Prizrenit, të cilat i kthyen në llogore të koncentrimit, më të ndera se ato të kohës së okupimit fashist. Pas disa ditësh i zgjodhën dhe i therën në mënyrën më gjakësore njerëzit më të mirë, të etiketuar “elementë reaksionarë fashistë”. Pasi shumica morën tuberkulozin dhe sëmundje të tjera nga betoni i ftohtë i kazermave, i nisën në drejtim të panjohur. Në kolona të pafundme, të zhveshur e të zbathur, të paarmatosur, të përcjellë prej pak malazezve të armatosur deri në dhëmbë me mashinka dhe me mitraloza, të rinjtë kosovarë i dërguan për Shkodër. Të të ka marrë trishtimi duke i parë këta kosovarë të rinj e krenarë se si u grahnin përpara si kafshë malazeztë e ligj. Më trimat kundërshtuan, bënë përpjekje për të ikur, por ranë pa shpirt, të goditur nga plumbat tradhtarë të përcjellësve.
Rruga Prizren – Shkodër atyre ditëve ishte kasaphane e vërtetë e njerëzve. Shumë të rinjve u shkoi për dore të çarmatosnin rojet dhe të merrnin malet. Ata tashti gjenden në batalionet tona dhe u rrëfejnë shokëve të tyre tragjedinë e tyre të ditëve të zeza. Të tjerët, të cilët nuk kanë mundur të iknin, i dërguan për gjatë bregdetit deri në Tivar dhe atje ua dorëzuan komandantëve malazezë. Kjo ka ndodhur atyre ditëve kur heroi i popullit Haki Taha në mjedis të Prishtinës e ka vrarë në vend armikun më të madh të popullit shqiptar, malaziasin Miladin Popoviq[17]. Për këtë Fadil Hoxha gjeti rastin e mirë, të cilin e ka pritur, dhe i dha urdhër komandantit në Tivar që të pushkatonte një numër të caktuar të shqiptarëve si hakmarrje për Miladinin. Malaziasi[18] këtë detyrë e ka kryer me pedanteri dhe shumë shpejt[19]. Për disa orë egërsirat gjakësore kanë masakruar më shumë se 3 000 shqiptarë[20]. Ky masakër do të vazhdonte deri sa të vriteshin të gjithë, por familjet e Tivarit ndërmjetësuan dhe ploja u ndal në gjysmë[21]. Populli shqiptar e dinë mirë se kush është përgjegjës për këto ngjarje tragjike dhe ata shumë shpejt kanë për të dhënë llogari para popullit dhe familjeve të tyre[22].
Urrejtja, të cilën këta tradhtarë e kanë mbjellë midis popujve pasqyron qartë sistemi modern i bashkimit të popujve në Kosovë…[23] Nuk themi ne, por argumentet…[24] e Nacionalçlirimtares. Populli shqiptar në Kosovë gjendet në masën…[25]më së paku 85% deri në 100%. Gjuha zyrtare pra duhet të jetë gjuha e shumicës, por nga kjo nuk ka gjë. Përse gjuha e pesëmbëdhjetë vetave t’u vihet tetëdhjetë e pesë vetave – populli atë nuk mund ta kuptojë. Përse vulat janë shkruar lartë serbisht dhe me germa të mëdha, kurse poshtë shqip dhe me germa të vogla – mikroskopike?! Cirilikja serbe për ne shqiptarët nuk është e dëshirueshme, sepse e kemi alfabetin çfarë e ka tërë bota e qytetëruar. Kjo nuk ndodhë as në Kroaci as në Slloveni, as në Maqedoni. Ne mendojmë se kjo është njëfarë koncesioni special për Kosmetin, dhuratë!? Por ende jemi në fillim, sepse këso dhuratash Kosmeti do të fitojë për çdo ditë nga Beogradi[26].
Kështu para disa vjetësh filluan të vepronin edhe në Shqipëri…[27] Dallimi qëndron vetëm në faktin se ato dhurata na vinin nga Roma dhe jo nga Beogradi[28]. Krejt ajo që është përmendur nuk paraqet as pjesën më të vogël të asaj se çka ka ndodhur gjatë dhjetë muajve të Nacionalçlirimtares. Nuk po flasim ne, por argumentet. Ne kemi qenë vetëm vrojtues. Ngjarjet janë zhvilluar dhe ne i kemi regjistruar. Për shembull, kemi regjistruar se deri tashti janë vrarë dhe therë më shumë se 35 mijë shqiptarë, emrat e tyre dhe vendi se ku janë therë i dinë të gjithë, por edhe disa mijëra janë masakruar tinëzisht. Natyrisht, ato janë metoda të Nacionalçlirimtares. Ja edhe një shembull për të cilin populi ynë kurrë nuk ka ditur: I thërrasin romët dhe dajrexhinjtë që me lodra dhe zurna të lozin para burgjeve përplot shqiptarë, i ndezin automobilat dhe motoçikletat, ndërsa brenda xhelatët gjakatarë e bëjnë punën e tyre mizore: i ngulin bajonetat në trupin e shqiptarëve, ua këpusin atyre mishtë me dare, ose ua thyejnë gjymtyrët me çekan, e që të mos dëgjohet jashtë zëri i tyre kur të bërtisnin nga dhembjet, shokët dhe shoqet jashtë nuk ndalën me këngën dhe vallen!?![29]
Këso skena të tmerrshme populli shqiptar i ka në kujtesë të freskët dhe hakmarrja mbi ta ka për të qenë e tmerrshme. Këso shembujsh kanë ndodhur mijëra herë gjatë dhjetë muajve të pushtetit të këtyre terroristëve.
Një shembull tjetër: Plaçkitjet, të cilat partizanët i kanë zbatuar mbi popullin tonë janë të njohura, ia morën çdo gjë që i gjetën, kafshët, petkat e grave e të fëmijëve, madje edhe opingat ua kanë zbathur popullit në mesin e dimrit të kaluar. Ua kallën edhe shtëpitë e atyre ‘fashistëve reaksionarë’ shqiptarë, gabimi i tyre…[30] kuptohet se si qëndron çështja[31]. Dhe tashti ceremonia: ata partizanët e njëjtë, të cilët i kanë kallë e plaçkitur këto shtëpi vijnë dhe bëjnë parallogaritë e dëmit, gjithsesi sipas një çmimi të lartë dhe meqë i Zoti i shtëpisë ka ikur në male, u thonë grave që të vëjnë nënshkrimin se shtëpinë ua kanë djegur dhe ua kanë plaçkitur gjermanët!? Këtë nuk e themi ne nga vetja, por argumentet, të cilat i kemi përgatitur për t’i publikuar. Dhe, çka të flitet për miton, të cilën e hanë udhëheqësit e këtij regjimi?! Nuk flasim ne, por argumentet. Ne themi vetëm: populli i mjerë, i cili nuk ka opinga, e le më lira të kuqe për t’i korruptuar që të lirohet nga obligimet ushtarake ose nga burgu, populli i mjerë, i cili deri dje e priti lirinë nga këta shokë, të cilëve u kanë pëlqyer napolonat e kuq.
Atë që e përmendëm më sipër nuk është as pjesa më e vogël e materialit të pasur që na i kanë dhënë këta dhjetë muaj të regjimit të Nacionalçlirimtares. Ne i kemi përmendur vetëm disa shembuj sa për të treguar se çdo gjë që bëhet dihet përnjëherë. E ka ditur i tërë populli, e kemi ditur ne, e ka ditur e tërë bota, të jesh i sigurt për këtë, dhe për tërë këtë, ti popull i vërtetë i Kosovës do të kërkosh llogari, sepse ti e di fortë mirë kush janë fajtorët e kësaj tragjedie dhe të kësaj padrejtësie!
Populli shqiptar i tradhtuar i Kosovës dhe e tërë bota e kanë parë të vërtetën se banorët shqiptarë të Kosovës dhe të Dukagjinit janë autoktonë me mesataren mbi 85%. Këto fakte nuk kanë mundur t’i kontestojnë as shovinistët e verbër armiq të popullit tonë[32]. Por ajo që është më kryesore për ne, o vëllezër shqiptarë, është se nga premtimet trumbetuese, të cilat në fillim na i dhanë Nacionalçlirimtarët, nuk është realizuar kurrgjë. Na tradhtuan ne, sepse ishim të lodhur me okupime dhe sinqerisht u besuam[33]. Kur e pamë tradhtinë, na i kishin marrë armët dhe të bijtë më të mirë i kishin syrgjynosur dhe internuar në vendet më të largëta të Jugosllavisë. Ne ende i kujtojmë afishet, të cilat i shpërndanin në kohën e okupimit. Në ato afishe të nënshkruara prej udhëheqësve të sotëm më të lartë të Kosmetit është shpallë programi(i Nacionalçlirimtares). Midis të tjerave që neve na ka interesuar më së shumti është deklarimi publik: “Populli do të vendos lirisht se me cilën dëshiron, me Shqipërinë, Jugosllavinë, ose i pavarur”. Populli është shumë i kënaqur me këto deklarata dhe ka ëndërruar se më në fund, pas kaq shekujve të robërisë, do të fitojë lirinë e vërtetë.
Në ditët e para të këtij regjimi komisarët politikë flisnin në të katër anët me fjalime bombastike, të cilat kanë zgjatur nga disa orë dhe populli mirëdashës iu afrua këtyre me besim dhe i dorëzoi armët. Se çka ndodhi më vonë e dinë të gjithë dhe për atë nuk ka nevojë të flitet. Por populli edhe pas shpullave të rënda, të cilat i ka marrë nga ky regjim, nuk e kishte humbur shpresën dhe për çdo ditë pyeste: “Kur do të bëhet ky votim?”[34] Populli me padurim e ka pritur që lirisht të shpreh dëshirën e vetë, e cila është dhe e cila gjithmonë ka për të qenë: Bashkimi definitiv dhe i përjetshëm me Shqipërinë!
Këtë dëshirë të popullit çlirimtarët e kanë pasur të njohur plotësisht dhe i janë frikësuar shumë, për çka kanë filluar që ta këshillonin popullin për të hequr dorë nga ajo dëshirë e “marrë”. Premtimet zyrtare janë lënë në harresë?! Mehmet Hoxha në krye të një delegacioni të përfaqësuesve të popullit(sic)[35], pa dijen e popullit, shkoi në Beograd, ku Titos në emër të popullit(sic) ia shprehu dëshirën që të bashkohej me Jugosllavinë Demokratike Federative!?! Kur është kthyer, gjithsesi sipas propozimeve nga Beogradi, ku çeqet ia mbushën me dinarë të Jugosllavisë Demokratike Federative, i tuboi disa nënshkrime, dërgoi telegram në Beograd dhe e luti Titon që Kosmeti të pranohet në Jugosllavinë e re. Natyrisht, përgjigja në Beograd u pranua me aplauzë dhe thërritje – dinarët patën fuqinë magjike!
Kjo neve na kujton Mustafë Krujën, Shefqet Verlacin, Fejzi Alizotin me shokët e tyre, të cilët në prill të vitit 1939 i dërguan telegram Musolinit dhe e lutën që Shqipërinë ta pranojë në kornizat perandorake. Kur u kthyen nga Roma këta përfaqësues të popullit shqiptar(sic), e thirrën kuvendin me anëtarët e tubuar nëpër kafene dhe vendosën që Viktor Emanuelit t’i dërgonin Kurorën e Skënderbeut[36]. Populli shqiptar me goditjet vdekjeprurëse, të cilat ia dha Italisë dhe kuislingëve të saj në Shqipëri, tërë botës i tregoi sa vlejnë ato vendime[37]. Kjo komedi u loz në prill të vitit 1939 dhe pas gjashtë vjetësh komedia u përsëritë në Kosovë. Kësaj here rolin e lirës e lozi dinari, kurse në vend të Verlacit, Krujës dhe Alizotit me shokët është Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Rifat Berisha me shokët,në vend të Romës është Beogradi, kurse në vend të Duçës “marcialo de limbero” është shoku Tito – mareshal i Jugoslavisë. Analogji e çuditshme!?!
Në vitin 1939 në Romë dhe në Tiranë u krye shitblerja. Në vitin 1945 u krye shitblerja e dytë në Beograd dhe në Kosovë. Të dy shitblerjet u bënë në kurriz të popullit shqiptar, por të gjithë e dinë sa kushton kjo shitje. Këto janë shitje të paligjshme të bëra pa e pyetur pronarin. Për këtë shkak fuqimisht e shpallim se populli shqiptar i Kosovës nuk e ka marrë vet…[38], se kundër dëshirës së tij është marrë vendimi për bashkëngjitjen e Kosovës Serbisë Federale dhe kurrsesi nuk pranon këtë akt, të cilin e kanë nënshkruar disa persona, të cilët nuk e përfaqësojnë popullin dhe dëshirën e popullit[39]. Aq më pak e pranon Kuvendin e mbajtur me tetë korrik në Prizren, ku disa persona janë ftuar me thirrje nga të gjitha anët e Kosovës, kinse përfaqësues të popullit(pasi shumë prej tyre më parë ishin burgosur dhe frikësuar), kanë qenë të detyruar të nënshkruanin Vendiminsipas të të cilit Kosova dhe Dukagjini shprehin dëshirën që të hyjnë nën administrimin e Serbisë Federale(sic)!?!
Popullit të Kosovës i vjen marre t’i pranojë për shqiptarë ata njerëz, të cilët e kanë nënshkruar këtë vendim, jo vetëm duke mos e pyetur atë siç kërkojnë rregullat më elementare të demokracisë, por edhe duke mos e informuar për vendimin[40]. Populli shqiptar i Kosovës, i cili këto vende i banon në masën absolut, kërkon të drejtat e veta natyrore; Bashkimin me vëllezërit e vet nga Shqipëria e vitit 1913. Kjo ka qenë, kjo është dhe kjo do të jetë dëshira e vetme e shqiptarëve të kësaj krahine. Por Nacionalçlirimtarja ia ka mohuar këtë të drejtë këtij populli – të drejtën që ta ndajë të mirën dhe të keqen me vëllezërit e vet të gjakut e të gjuhës, që së bashku me ata ta ketë fatin e përbashkët[41].
Këtë dëshirë, këtë të drejtë, e quajnë shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm!?! Ajo që kurrë askund në botë nuk ka ngjarë, ndodhë dhe ende lejohet në Ballkan. Më shumë shqiptarë jetojnë nën sundimin e huaj se sa brenda shtetit shqiptar!?! Kjo politikë e padrejtë dhe më tutje po vazhdon, lejohet dhe ndihmohet nga çlirimtarët e popujve.
Në Ister dhe në Trieste, e di bota e tërë që nuk ka më shumë se 20% sllovenë. Çlirimtarët e popujve përpiqen që këtë krahinë t’ia bashkojnë Jugosllavisë. Këtë hap nuk e konsiderojnë aspak shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm(sikur të mos kishte qenë…[42] gjenerali anglez, Aleksandri, i cili i shkroi Titos se pushtimi i kësaj krahine nga ana e Jugosllavisë të kujton pushtimet, të cilat i bëri Hitleri) edhe pse mu këta “çlirimtarë” e mohojnë dëshirën dhe të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës të marrin pjesë në Shqipëri, e aq më tepër denjojnë që këtë ta quajnë shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm!?!
Demokracia(thonë se Jugosllavia e re është demokratike!?) ia mohon të drejtën e bashkimit popullit shqiptar, athua është kjo e drejtë e popujve për vetëpërcaktim?! Kjo e drejtë u është dhënë popujve, nga Fuqitë e Mëdha Botërore, me Traktatin e Atlantikut dhe me Konferencat në Krime e Sanfrancisk, por për popullin shqiptar “këto konferenca nuk vlejnë”, sepse ky popull kinse është i paarsimuar dhe nuk di se çka është demokracia!? Gjegjësisht Nacionalçlirimtarët jo vetëm se nuk na pranojnë për shqiptarë, duke na i mohuar të gjitha ato të drejta, por ne as nuk na llogarisin për njerëz!?!
Kosova i ka parë ditët e padrejtësisë gjatë dhjetë muajve nga ardhja e terroristëve…[43] me yllin e kuq në ballë. Kjo gjueti në njerëz, e cila zbatohet kundër popullit shqiptar në Kosovë që dhjetë muaj, nuk ndodhë askund në botë, por për vendin tonë kjo nuk është asgjë e re, por është përsëritje periodike e historisë së vitit 1878, kur ardhacakët nga Beogradi kanë mbytur dhe i kanë therë më shumë se 100 mijë shqiptarë të Vilajetit të Nishit[44]. Kush ka mundur të shpëtonte ka ardhur këtu, e tashti quhen “muhaxhirë”, të shpërndarë në të katër anët e Kosovës[45]. Më 1912, prapë me urdhër nga Beogradi, janë mbytur po aq shqiptarë. Në vitin 1918, gjatë krijimit të Jugosllavisë mozaik, prapë sipas urdhrit të Beogradit, janë therë dhe mbytur mijëra shqiptarë. Aso kohe në Konferencën Paqësore është sjellë regjistri për tetëdhjetë mijë viktima, i përcjellë me një protestë energjike, por edhe kjo, si gjithherë, “Vox clamantis in deserto”.
Më 1945 u përsërit historia dhe prapë sipas urdhrit të Beogradit zbatohet therja masive mbi popullin shqiptar[46]. Ende nuk kanë kaluar dhjetë muaj në regjistër janë shënuar më shumë se 35 mijë të vrarë dhe më shumë se 50 mijë të ndjekur, fati i të cilëve nuk dihet. Këtë nuk e themi ne, por vetëm faktet[47]. Katër data historike tragjike, katër qeveri të ndryshme, por me politikë të përbashkët dhe plotësisht të njëjtë, unike dhe shumë të thjeshtë: shfarosja dhe zhdukja e popullit shqiptar në Kosovë[48]. Italia fashiste, e cila ishte armiku i përbetuar i popullit shqiptar ka qenë e detyruar të pranonte karakterin shqiptar të tokës sonë. Por Nacionalçlirimtarët…[49] dëshirojnë që çdo gjë,…[50] të ndryshojnë, dëshirojnë t’ia kalojnë me çdo gjë okupatorit fashist. Këtë me fakte e ka treguar terrori i OZN-ës, i cili e ka tejkaluar SIM-in, OVR-in dhe Gestapo-n. Diktatura dhjetëmuajshe e lenë pas vetës shumë diktaturën fashiste.
Të lirë në Malet tona të Lira jemi të autorizuar të shpallim dëshirën e vërtetë të popullit shqiptar të Kosovës. Tërë këtë në emër të popullit shqiptar të Kosovës, e ngrehim zërin dhe i drejtohemi opinionit publik botëror dhe solemnisht deklarojmë: Kundër dëshirës dhe plotësisht…[51] duke mos na njoftuar, na është vënë lidhja me Beogradin. Dëshira jonë e vërtetë është bashkimi me Shqipërinë! Ne dëshirojmë të jemi të bashkuar me vëllezërit tanë në Shqipëri, pa marrë parasysh regjimin që do të jetë në atë, me ligje të njëjta dhe nën kushte të njëjta materiale dhe morale. Duke ia zgjatur dorën njëri-tjetrit sa më shpejtë ne do t’i hedhim vargonjtë e errësirës e të robërisë dhe frikën nga terrori, të cilin e kemi përjetuar nga okupatorë të ndryshëm dhe prej kuislingëve beogradas e prizrenas të sotëm.
Ne nuk jemi kundër një ideologjie dhe nuk luftojmë për asnjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistimin e popullit shqiptar. Ekzistenca jonë mund të sigurohet vetëm në shtetin shqiptar, i cili në kufijtë e vetë do të kishte të gjithë shqiptarët. Sa i përket pakicës anase serbe, e cila është vendosur në vendet me shumicë shqiptare, deklarojmë se kanë për t’iu njohur dhe ka për t’i gëzuar të drejtat e njëjta dhe se nuk do të dallohen nga shqiptarët.
Gjithashtu deklarojmë se në Kosovë nuk ekziston asnjë malazias anas. Të gjithë malazeztë, të cilët sot gjenden këtu, kanë ardhur pas 1912-tës dhe posaçërisht pas vitit 1918. Ata i këshillojmë të kthehen në vendin e tyre prej nga rrjedhin, meqë toka që ata e mbajnë është e nevojshme për autoktonët. Në Mal të Zi ata e kanë qeverinë e tyre(kurse populli shqiptar i Kosovës edhe pse është katër herë më i madh këtë të drejtë nuk e ka pasur), e cila duhet të kujdeset që t’u gjejë vend në tokën e tyre.
Sa u përket tregimeve tendencioze dhe rrenave, të cilat po i përhapin terroristët, ne kategorisht i demantojmë dhe deklarojmë se në batalionet tona nuk gjendet asnjë i huaj. Në të gjitha luftërat të cilat janë zhvilluar në Kosovë gjatë këtyre dhjetë muajve, nuk ka marrë pjesë asnjë i huaj. Për këtë njëherë e përgjithmonë deklarojmë se organizata jonë[52] nuk ka kurrfarë lidhjesh me asnjë parti, organizatë, a qeveri të jashtme ose të brendshme, të cilat Kosovës ia mohojnë të jetë dhe të jetojë në bashkësi me Shqipërinë. Posaçërisht e demantojmë në mënyrën më kategorike, se organizata jonë ka lidhje me drazhistët, për çka na akuzojnë terroristët.
Vëllezër kosovarë!
Regjimi terrorist juve po u rrenë dhe po u mashtron, nuk na lejon që lirisht të votojmë dhe të vendosim për fatin tonë, siç na patën premtuar zëshëm në fillim, sepse e kanë ditur se do të votojmë për Shqipërinë dhe jo për Beogradin. Kuislingët e Prizrenit e kanë ditur dëshirën e shokut Tito, i cili në deklaratën e tij para delegacionit shqiptar të Kosovës ka shprehur dëshirën e tij personale duke thënë se më mirë do të jetë për Kosovën që të mbetet nën Beogradin?![53] Këta kuislingë që i lajkatoheshin shokut Tito u ngutën që përnjëherë ta realizojnë këtë dëshirë të tij, sepse…”[54] – ndërpritet dokumenti pa u përmbyllur.
Në fund, në formë të “Shënimit” qëndron konstatimi i detyrueshëm, i shkupjanit ferizajas Abdullah Musliu, i shkruar me dorë më 10 prill 1947, cirilikë në gjuhën serbe: “Thirrja e mësipërme më është lexuar dhe kjo është Proklamata, të cilën e kam sjellë në Shkup për shumëzim, me dallim se ajo ishte e shkruar shqip me dorë, diçka më e shkurtër se sa kjo, por për nga përmbajtja është identike, me dallim se në fund duhet t’i kishte edhe 6 ose 7 parulla”.
Sipas mendimit plotësisht identik të dhjetëra pjesëtarëve të Lëvizjes për Shlirimin e Tokave Shqiptare parullat kishin të bënin me thërritje kundër personaliteteve shqiptare të cilësuara në Proklamatë si kuislingë dhe fajtorë për një gjendje të nder në të cilën ishin vënë mbi dy të tretat e kombit shqiptar. Parullat shprehnin kërkesat e popullit shqiptar për të drejtën natyrore e politike demokratike në vetëvendosje dhe bashkim me shtetin Shqipëri, të caktuar për amë nga Evropa imperialiste prosllave e progreke. Parulla e fundit ishte ajo me të cilën ishte mbyllur Rezoluta e Kuvendit Themelues tëShtabit Suprem të Kosovës, më 1 dhjetor 1944, në Tërpezë të Moravës së Epërme: “Rroftë Shqipëria…!”- kërkesë kjo permanente e të gjitha brezave shqiptare.[55]
RËNDËSIA E “SHTABIT SUPREM TË KOSOVËS”
NË NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS
(dhjetor 1944-tetor 1945)
Përmledhje
Mbrojtja Kombëtare e Kosovës sipas organizimit strategjik të Lidhjes II të Prizrenit mori goditjet vendimtare aty nga mesi i nëntorit 1944. Në viset e Zonës III (Prishtinë), dhe IV (Gjilan) të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, besnikë dhe të paluhatshëm betimit mbi Programin e Lidhjes II të Prizrenit të aprovuar më 18 shtator 1943, i qëndruan të thuash të gjithë komandantët e njësive vullnetare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.
Mekanizmi “Shtabit Suprem i Kosovës” u formua më 1 dhjetor 1944, në Kuvendin e Tërpezës (Viti) të komandantëve të njësive luftarake kombëtare antijugosllave, me detyrë të drejtonte politikisht dhe ushtarakishte Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare antijugosllave.
Përgatitjet për ngritjen e këtij mekanizmi u bënë në dy kuvende të organizuara nga Mulla Idris Gjilani: në Suharnë të Hashanisë, më 17 nëntor 1944 dhe në Livadhi i Shehit në Karadak, më 26 nëntor 1944 dhe në Kuvendin e Plitkoviqit, më 28 nëntor 1944, të drejtuar nga Adem Gllavica.
Kuvendi i Tërpezës u mbajt nën patronazhin e Hysen Tërpezës, i cili me këtë hap u diferencua definitivisht nga Lëvizja antifashiste kominterniste për interesa serbomëdha në tokat shqiptare. Kuvendi emëroi komandant të përgjithshëm Adem Gllavicën, zëvendëskomandant Qazim Sefë Llugaxhinë dhe për anëtarë të gjithë komandantët e njësiteve të armatosura. Pas ngritjes së Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare, aty nga fundi i janarit 1945, Shtabi Suprem i Kosovës e lidhi aktivitetin me Komitetit Qendror të NDSH-së me seli në Shkup, kurse nga gushti i vitit 1945 Shtabi Suprem i Kosovës u bashkua me NDSH-në me detyrën e Shtabit të Luftës të Komitetit Qendror të NDSH-së.
________________________________________________________
[1] Gjerësisht, Dr. Izber Hoti, Lëvizja Nacionalçlirimtare në Prishtinë dhe rrethinë, Prishtinë, 1986, 104-107; Dr. Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992.
[2] Gjerësisht: Spasoje Djakoviç, Sukobi na Kosovu, Beograd, l986; Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë, 1995.
[3]Ishte nën ndikimin idolist të Ramiz Cërnicës, ndaj në vitet 1942/44 kreu edhe detyra të korrierit për lidhjen e Aradhave Partizane të Fadil Hoxhës me Komitetin e PKJ-së të Rrethit të Gjilanit.
[4] Ramiz Cërnica, me autoritet të madh në masat e Moravës së Epërme, do të lirohet shumë ngadale nga ndikimi i ideve antifashiste kominterniste të mësuesit elbasanas Hasan Dynxheri, të nënprefektit drenicas, Rifat Berisha dhe të të nipit, Kadri Halimi. Hysen Tërpeza, njëri ndër themeluesit e Shtabit Suprem të Kosovës, do të konstatojë: “Më 14 nëntor 1944 Ramizi më thirri në telefon nga komuna e tij dhe më tha: Hysen, sa më thirri në telefon Vllada Popoviq nga Vraja e më tha: ‘Ti e Hysen Tërpeza mos i lëshoni komunat se Ju jeni njerëz të Drzhavës së Parë…!’ I thash, pa hamendje e shkurt: ‘Kurrë nuk e lëshoj pushkën…!’ dhe ja mbylla telefonin. Ramizi e donte karierën…”. Tërpezë, më 12 shkurt 2000.
[5] Gjerësisht, Dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë, 1997.
[6] Citatet nga fjalimet e Mulla Idris Gjilanit, e të tjera, nga vepra e M. Pirrakut: “Mulla Idris Gjilani….”
[7] Gjerësisht, Kapiten Ljuba Popoviq, Analizë për veprimtarinë e komiteteve Nacional Demokratike Shqiptare – NDSH-së e të grupeve të Rezistencës shqiptare të armatosur 1944-1951, Prishtinë, pas vitit 1951(mbi 220 faqe), Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, Dosja 50-1-0002.
[8] Gjerësisht, S. Djakoviç, Sukobi na Kosovu, Beograd 1986, 205-228.
[9] Tahir Zajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe Lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruxelles, 1964, 94.
[10] Gjerësisht: po aty, 94-96; M. Pirraku, Mulla Idris Gjilani…,335-338.
[11] Gjerësisht: Rajko Vidaçiç, Kosovsko Metohijski odmetnici 1944-1952, Bezbednost, nr. 4, Beograd, l984; Pavle Dželatooviç, 21 SS-Divizija Skenderbeg, Beograd,1987.
[12]M. Pirraku, Mulla Idris Gjilani…,322; Ilaz Metaj-Ali Llunji, Hysen Tërpeza histori e gjallë, Prishtinë, 9992, 141-154. Ky libër doli nga në janar të vitit 1995.
[13] Shih gjerësisht, M. Pirraku, Dëshira jonë e vërtetë është bashkimi me Shqipërinë, Dituria Islame, Prishtinë, l995, nr.73, fq. 32-34; nr. 74, fq. 25-28.
[14] Në dokument janë tri pika. Besojmë se kemi të bëjmë me një veprim të hartuesit dhe jo të përkthyesit në gjuhën serbe për shërbime të OZN-ës. Thonjëzat dhe nënvizimet me kursiv janë të hartuesit shqip.
[15] Sipas të dhënave të sigurta në Brigadën VII pati mbi 19 460 veta(deri më 18 dhjetor 1944 - 15 260 nën komandën e Shaban Haxhisë së B’tyçit, Shqipëri, dhe mbi 4 200 nën komandën e Shaban Palluzhës midis datave 6 - 23 janar 1945.
[16] Të dhënat flasin për 30 mijë shqiptarë të dërguar nga Kosova në Srem-Banatë.
[17]Tregimi për vrasjen e Miladinit nga Hakiu është konstruksion i OZN-ës. Popoviqin e likuidoi OZN-a e Kosovës me kërkesë të KQ të PKJ-së. Nuk ka dyshim të mbështetur në fakte.
[18] Sipas ushtarakut të lartë të AJ-së, Bajram Gola, ai ishte Gasha Markoviq, Komandant i Brigadës X Malazeze, por pjesëmarrës komandues në krim ishte edhe veprimtari politik Velko Roloviq. Shih, M.Pirraku, Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës. TIVARI 1945, Prishtinë 1993/4, 49-54.
[19] Se Fadil Hoxha është i implikuar në Masakrën e Tivarit ekziston edhe një dokument i proveniencës malaziase, i më vonshëm. Mirëpo, kjo ende kërkon dokumentim më të gjerë. Heshtja 56 vjeçare e Hoxhës për ndriçimin e këtij krimi është, së paku, bashkëfajësi.
[20] Sipas një raporti ushtarak jugosllav, më 26 mars 1945, Eshaloni i Dytë në nisje nga Prizreni kishte “2 400 shqiptarë”. Sipas raportit rekapitulues më 8 prill 1945, ky Eshalon në nisje për Tivar pati “2 382 shqiptarë”, dhe në Shodër, më 30 mars 1945, iu dorëzuan malazezve “2 370 shqiptarë”. Këta e përjetuan Masakrën e Tivarit të NJË PRILLIT. Prof. Ymer Berisha në raportin për gjeneralin Hadson, më 22 tetor 1944 flet për 1 690 të vrarë në Tivar, kurse ushtaraku Bajram Gola në një relacion për KQ të PKJ-së flet për 1 700 të vrarë. Ka edhe të dhëna që sillen rreth 3000-shit, por fjala është për të gjithë të masakruarit në Rrugën e Nacionalçlirimtares prej Prizrenit deri në Dubrovnik. Gjerësisht, M. Pirraku, Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës. TIVARI 19445, Prishtinë, 1994,17-32. Përjetuesi i ngjarjes, Azem Hajdini – Xani fletë për 3 760 deri mbi 4 000. Gjerësisht, Masakra e Tivarit(Memoare), Prishtinë, 1998. Të dhënat e A. Xanit janë plotësisht fantastike, që nuk mund të mbështetën me asnjë burim, as me logjikën shkencore kritike.
[21] Gjerësisht, M. Pirraku, Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës. TIVARI 1945.
[22] Për Plojen e Tivarit shih: Dr. Muhameti Pirraku, Tivari 1945 - Kalvari i Kosovës, Prishtinë 2005, fq. 210.
[23] Në tekst janë 12 pika. Duket se nuk kanë të bëjnë me fjalët që kanë po aq germa. Nuk del se janë as të përkthyesit në serbishte.
[24] Në tekst janë 11 pika.
[25] Në tekst janë 10 pika.
[26]Sintagma “Kosmet” mund të jetë e hartuesit, e përdorur në mënyrë pejorative, sipas cilësimit të Nacionalçlirimtarëve jugosllavçe.
[27] Në tekst janë 6 pika.
[28] Në Proklamatë hetohet fryma antifashiste italiane e fortë, por edhe një maturi ndaj nazizmit hitlerian, i cili nuk mund të shkelej lehtë, ngase e bashkoi Shqipërinë dhe kombin shqiptar të copëtuar nga Evropa imperialiste me shumë traktate politike prosllave e progreke.
[29] Prof. Ymer Berisha, Kryetar i Organizatës “Besa Kombëtare” i shkroi përfaqësuesit të Anglisë në Tiranë, Hadsonit, më 22 tetor 1945: “…Pasi u mblodhën të gjitha armët, u burgosën të gjithë krerët, bajraktarët dhe personalitetet e njohura dhe u hodhën në burgjet më të këqija, në të cilat shumë prej tyre vdiqën nga uria(…). I merrnin natën nga burgu, Nga 10 deri në 15 veta dhe, duke luajtur me muzikë, i vrisnin pas torturave të mëdha, duke i rrahur e duke i pushkatuar, duke i therur duke i varur e në disa raste duke u rënë me çekiç në kokë, duke ua vënë nën thonj gjilpërat(gozhdat) duke u rënë brinjëve, duke ua prerë pjesët e trupit derisa ata ende ishin gjallë…” etj.
[30] Në tekst janë 6 pika.
[31] “Vetëm pse kishin qenë kryefamiljarë të mirë dhe kishin rritur e edukuar drejt më shumë se katër djem…” – i shkruante Prof. Ymer Berisha gjeneralit Hadson.
[32] Në 15% të popullsisë së Kosovës këso kohe kishte arritur numri i përgjithshëm i serbëve rajë osmane dhe të serbomalazezve të kolonizuar nga viti 1912, së bashku me elementin turk, romë etj. Sipas të dhënave të Komitetit të LKJ-së së Kosovës, në Kosovë, më 1989 elementi joshqiptar kishte rënë në rreth 7% të popullsisë së përgjithshme, si rezultat i shtimit natyror të shqiptarëve dhe i kthimit të shumë kolonistëve nga Kosova në Serbi e Mal të Zi.
[33] Gjerësisht, shih Dr. Muhamet . Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992.
[34] Fjala ishte për Referendumin për plotësimin e kërkesës që shtronte Rezoluta e KNÇ të Kosovës e Dukagjinit, në Bujan, më 2 janar 1944.
[35] Konstatimet “sic” me shumë gjasë janë të hartuesit të dokumentit shqip.
[36] Krahasimi nuk është i qëndrueshëm shkencërisht. Veprimet e Krujës, të Verlacit dhe të Alizotit, në rrethanat e përpjekjeve të nazifashizmit për një Rend të Ri evropian e botëror, shkonin drejt bashkimit të Shqipërisë Etnike, kërkesë gjithëkombëtare shqiptare e përjetshme. Edhe konstatimi i mësipërm tregon qartë se hartuesit e dokumentit ishin ish-antifashistë – ish - “Nacionalçlirinmtarë” të zhgënjyer nga qëndrimet antishqiptare të aleatëve kominiternistë jugosllavë e shqiptarë.
[37] Aludim se nuk do të vlejnë as Vendimet e Kuvendit të Prizrenit të 8-10 korrikut 1945, si dhe as nënshkrimet e Fadil Hoxhës e të Mehmet Hoxhës me shokët para kësaj date.
[38] Në tekst janë 12 pika. Fjala është për Vendimin për anulimin e Rezolutës së Bujanit nga ana e Nacional-çlirimtares jugosllavçe.
[39] Ata nuk ishin përfaqësues legjitim të popullit, por ishin të zgjedhur të posaçëm të organeve ushtarake e politike të Jugosllavisë.
[40] Veterani i Luftërave për Çlirimin e Kosovës, Hysen Tërpeza, më 12 shkurt 2000, theksoi: “Në Kuvendin e Prizrenit vetëm Ramiz Cërnica e foli një fjalë që duhej të thuhej: “Meqë edhe Jugosllavia edhe Shqipëria tashti janë demokratike, pse Kosova të mos shkojë me Shqipërinë?!” Ky ishte shkaku që e burgosën…”
[41] Gjerësisht, M. Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 149-158.
[42] Në tekst janë 8 pika.
[43] Në tekst janë 12 pika.
[44] Fjala është për Sanxhakun e Nishit, i cili kishte 10 972km2 me rreth 300 mijë banorë, prej të cilëve mbi 250 mijë shqiptarë autoktonë.
[45]Një numër i konsiderueshëm dhe veçanërisht ata, të cilët banonin në qytete dhe dinin gjuhën turke shkuan në vise të Turqisë.
[46] Gjenocidin serbomalazez, të cilin sot bota e njeh pas shembullit në Bosnjë dhe në Kroaci, populli shqiptar e ka mbijetuar gjatë mesjetës nemanjidase dhe që nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shekullit XIX me masakrën në Mavriq, Kryellapi, mbi familjen 30-anëtarshe të Demë Ahmetit më 1809.
[47] Nuk flitet edhe për shqiptarët në Mal të Zi dhe në Maqedoni të sotme AVNOJ-SHBA-OSBE-iste.
[48] Gjerësisht, Dr. Muhamet Pirraku, Evropa është fajtore për gjenocidin mbi shqiptarët, Dielli, Zagreb – Prishtinë, nr. 20-34 të viteve 1991, 1992.
[49] Në tekst janë 10 pika.
[50] Në tekst janë 9 pika.
[51] Në tekst janë 12 pika.
[52] Fjala është për NDSH-në – LpLTSH-në.
[53] Shih gjerësisht, Delegacioni i Shqiptarëve të Kosovës-Metohisë vizitoi Mareshalin Tito, Rilindja, Prizren, 15 prill 1945, 2.
[54] Teksti përfundon me 10 pika. Shihet se teksti shqip ka pasur një përfundim që përmbyllej me shumë parulla.
[55] Gjerësisht, Kapiten Ljuba Popoviq, Analizë për veprimtarinë e komiteteve Nacional Demokratike Shqiptare – NDSH-së e të grupeve të Rezistencës shqiptare të armatosur 1944-1951, e cituar në fillim(Nuk i kam pasur disa faqe të para dhe as faqet e fundit); S. Djakoviç, Sukobi na Kosovu, Beograd, 1996.
|